nga Kastriot Myftaraj
Intervista prej katër faqesh gazeta që Aurel Plasari ka dhënë tek «Gazeta Shqiptare», në 23-24 korrik 2006 është një reagim ndaj një artikulli që unë kam botuar në ditoren «SOT», si polemikë me Plasarin, në 20-21 korrik 2006. Aurel Plasari në intervistën e vet të gjatë thotë se ai nuk ua përton polemikave, kur i gjen ato të frutshme, por ai nuk bën polemikë me atë që nuk e meritojnë, me «horraxhinjtë», siç shkruan ai. E megjithatë Plasari polemizon, duke reaguar ndaj artikulli tim, por vetëm për një aspekt, atë të kritikës që i bëj unë se ka falsifikuar Vijën e Teodosit dhe në përgjigjen e tij bën falsifikime të reja. Me gjërat e tjera që i kam thënë unë Plasari nuk merret, se nuk ka ç’ të thotë përballë argumenteve që i sjell unë. Plasari e anashkalon kritikën që i bëj unë, duke më quajtur «shkrues fletërrufesh» dhe si njeri që bëj «mësymje detraktuese me trillime, mllefe, shpifje, insinuata». Pastaj pasojnë breshëri fyerjesh kundër meje.
Por, këto truke nuk e shpëtojnë Plasarin nga detyrimi për t’ i përgjigjur çështjeve që paraqita unë, me argumente, në kritikën time:
1)Plasari ka falsifikuar Vijën e Teodosit, në librin e vet të parë kulturologjik, sipas shprehjes së vet të preferuar («Vija e Teodosit rishfaqet», 1993), me të cilin ai pretendon të jetë bërë albanolog.
2)Plasari në një artikull të gjatë dhe në dy libra («Si mund të fillojë krimi kundër kombit», 1994, «Përballë një kulture të vdekjes», 1997, «Plani i fshehtë për një Internacionale të re», 1997) i akuzon SHBA-të se ushtrojnë genocid kundër njerëzimit dhe kombit shqiptar me anë të politikës për kontrollin e lindjeve në rang botëror.
3)Plasari ka neglizhuar detyrimet e veta si punonjës shtetëror, që paguhet me paratë e taksapaguesve, në cilësinë e pedagogut të estetikës, në fakultetin e filologjisë, ku që prej 13 vitesh nuk ka shkruar një tekst estetike për studentët dhe publikun, në një kohë që babai i estetikës së kohës të komunizmit, professor Alfred Uçi, vazhdon të shkruajë libra për estetikën edhe sot.
4)Në mënyrë të dyshimtë, ndërsa hiqet si antiislamik i madh dhe që ka shkruar se i vjen t’ i puthë dorën Oriana Fallacit, kur ajo shkroi librin «Mllefi dhe krenaria», të cilin në shqip e përktheu Plasari, ai në librin «Përballë një kulture të vdekjes» lavdëronte Kuranin dhe Islamin, gjë që e ka bërë për shkak të miqësisë me Xhahit Xhaferrin, në vitet 1992-1997. Ky është një fakt që njihet botërisht, ashtu siç njihen dhe lidhjet e Xhahit Xhaferrit me fondacionet dhe shoqatat islamike në Tiranë, që paguanin mirë intelektualët, muslimanë ose jo, që lavdëronin Islamin.
6) Aurel Plasari në virtut të atyre që ka shkruar nuk e meriton të jetë Drejtor i Bibliotekës Kombëtare, post të cilin e mban që nga viti 1998 dhe që për më tepër i neglizhon tërësisht detyrimet që i vijnë nga ky post.
7)Njeriu që ka shkruar se Nëna Tereze nuk është shqiptare por vllahe nuk mund të jetë drejtor i një institucioni të rëndësishëm të kulturës shqiptare, siç është biblioteka kombëtare. Ajo që ka shkruar Plasari për Nënën Tereze, nobelisten shqiptare të paqes, bëhet edhe më e dyshimtë kur mendon se Plasari në 2001 ka firmuar një peticion që i kërkonte jurisë së Çmimit Nobel për Paqen, që t’ ia jepte këtë çmim Kryepeshkopit Anastas Janullatos. A nuk ka këtu një tendencë që Shqipërisë t’ i hiqen figurat shqiptare të shquara dhe t’ i jepen greke?
8)Është babai i romanit pornografik shqiptar, çka e bën skandaloze qënien e tij në krye të një institucioni kombëtar të kulturës, pasi na bën qesharakë para botës.
9)Plasari mban në mënyrë sharlataneske reputacionin e një eksperti në të gjitha fushat, që nga historia, gjuhësia, çështjet fetare, tek politologjia, teologjia madje duke uzurpuar dhe titullin e albanologut, duke mos pasur kredenciale intelektuale për këtë gjë.
Këtyre gjërave dhe disa të tjerave që do të shtoj sot, duhet që t’ u përgjigjet Plasari. Plasari nuk mund t’ i bishtnojë polemikës me mua duke u shtirur sikur ai është një lloj patriarku i kulturës shqiptare, që nuk u përgjigjet njerëzve si unë. Këtu Plasari duhet ta dijë se unë dhe Plasari kemi të njëjtin profil intelektual në raport me çështjet, posaçërisht ato historike, që ceken në këtë polemikë. Kredencialet intelektuale që Plasari mund t’ i ofrojë publikut janë ato të një të diplomuari me korrespondencë për gjuhë-letërsi, që ka marrë doktoraturën me një studim për krahasimin e poezisë së Lasgush Poradecit me atë të poetëve rumunë, gjë që nuk i jep atij autoritet në polemikën për çështje historike, politike etj. Në këtë polemikë atij nuk mund t’ i japë autoritet as qenia pedagog i estetikës në fakultetin e filologjisë, pasi estetika është larg këtyre çështjeve dhe Plasari nuk është një autoritet as në estetikë. Prandaj Plasari nuk duhet t’ i shmanget polemikës dhe të mbrojë veprën e tij nga kritika, në rast se është një njeri serioz.
Shikoni se si përpiqet ta zhvlerësojë Aurel Plasari kritikën për spekulimet që ka bërë me Vijën e Teodosit, në një intervistë të gjatë që ka dhënë, në 23 korrik 2006, në ditoren «Gazeta Shqiptare», nën titullin «Identiteti i shqiptarëve apo Europa e keqkuptuar» dhe që gazeta e njofton me shënimin «Njeriu i letrave përfshihet në debatin intelektual»:
«Në një debat me një kolegun tonë të nderuar, - ku ku nuk mungoi edhe ndonjë nga ato që në polemikë quhen charges,- u shfaq edhe varianti që Plasari paskësh ‘zbuluar’ Vijën e Teodosit, të zbuluar që para 100 vjetësh nga Konstantin Jireçeku. Kishte edhe pak shpoti, me siguri. Duke përfituar nga zjarri i debatit, ndonjë ‘mendje e klasit të katërt’, si i quante Konica, përfitoi ta bënte të vetin këtë charge. E gjeti si e gjen pula në mëngjes, si thotë populli, ngase pula në mëngjes nxiton të gjejë ndonjë grumbull plehu të ngrohtë për të bërë aty vezën e rradhës, si me thënë artikullin e çdo mëngjesi». («Gazeta Shqiptare», 23 korrik 2006, f. 18)
Ku e gjen të drejtën dhe guximin ky Plasari ta quajë «koleg të nderuar», Pëllumb Xhufin, i cili ka polemizuar me të, kur Pëllumb Xhufi është historian profesionist, që ka studiuar në Romë për histori, është specializuar në Gjermani po për histori, njeh latinishten dhe gjermanishten, dy nga gjuhët bazë për studimin e dokumenteve dhe librave për historinë e Shqipërisë dhe posaçërisht për çështjen e Vijës së Teodosit, ka shkruar shumë studime historike shkencore dhe ka doktoruar për historinë mesjetare shqiptare, ndërsa Plasari është një njeri që ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi me korrespondencë, ka doktoruar për poezinë e Lasgush Poradecit, nuk njeh as latinishten dhe as gjermanishten dhe është një historian amator dhe spekulant në këtë fushë. Aurel Plasarit i pëlqen që të prezantohet si albanolog. Në këtë aspekt ai ngjan me bosët e firmave piramidale, si Rrapush Xhaferrin, Suden etj., të cilëve u pëlqente që të prezantoheshin si financierë të sukseshëm.
Madje Plasari, të ngjan më tepër si Sudja, se ashtu si ajo e filloi karrierën në këpucëbërje, duke qenë se në mes të viteve ’70, pasi nuk -i doli e drejta e studimit për arsye biografike, filloi të punonte si këpucar, një profesion familjar ky, derisa mundi të hyjë në punë si korrektor në një shtëpi botuese. Këtu nuk ka asgjë të keqe, se këpucëbërja është një profesion i nderuar siç do profesion me të cilin njeriu fiton jetesën me punë, por e keqja është kur metodat hileqare të këpucëbërjes aplikohen në fusha të tjera, siç bëri Sudja në financë dhe Plasari në historiografi, politologji etj. Sudja dhe Plasari, kur qenë në zejen e këpucëbërjes, u mahnitën nga gjetja e re e lëkurëve të rreme (imitacion) dhe më pas vendosën ta aplikojnë këtë e para në financë, duke bërë imitacionin e një banke dhe duke lëshuar fatura mashtruese, ndërsa Plasari në historiografi, politologji etj., duke paraqitur teori të rreme spekulative, sharlataneske. Sudja u diskreditua, pasi piramida e saj financiare u shemb, ndërsa piramida «shkencore» e Plasarit me bazë spekulimet vazhdon të mbijetojë, derisa doli dikush ta shembë (Së pari dr. Xhufi) dhe më pas edhe unë.
Unë nuk pretendoj që të jem as historian, as albanolog, por unë, në kritikën që i bëj Plasarit, i citoj me korrektesë studiuesit e huaj që njihen si autoritete në këto çështje dhe që kanë paraqitur dokumenta, si Jireçek etj. Në fushën në të cilën po diskutojmë unë dhe Plasari jemi në pozita të barabarta, pasi ai nuk është historian, nuk i njeh gjuhët (latinisht-gjermanisht) në të cilat janë dokumentet për çështjen e Vijës së Teodosit. Prandaj, Plasari nuk mund t’ i bishtnojë polemikës me fyerje sikur unë paskam hyrë në një nivel shkencor që nuk më takon të jem dhe ku Plasari ka të drejtë që të ballafaqohet si i barabartë me dr. Xhufin.
Në vazhdim Plasari shkruan për kritikën që i bëj unë për çështjen e Vijës së Teodosit: «Si e gjeti, as i bëhet vonë se lexuesit që kanë lexuar librin në fjalë s’ kanë si të mos e venë re që titulli i saj nuk ka qenë ndonjëherë ‘Vija e Teodosit zbulohet’, por ‘Vija e Teodosit rishfaqet’. Nëse autori i saj ka meritën e ndonjë ‘zbulimi’, në këtë mes, do të kishte qenë ‘zbulimi’ modest sa s’ ka ku të vejë më që të ketë vënë re qysh më 1992 që kjo vijë të jetë shfaqur përsëri». («Gazeta Shqiptare», 23 korrik 2006, f. 18)
Së pari unë titullin e esesë së Plasarit e kam cituar korrektësisht. Plasari shkruan: «Më bëhet se kam të drejtën ta kujtoj që, në një nga faqet e para të esesë në fjalë, në shënimin nr. 2 përfund faqes, i kujtoja lexuesit disa autorë ‘klasikë’ që e kanë përshkruar dukurinë e ndarjes historike të dy arealeve dhe, ndër ta, edhe Kostandin Jireçeken, pikërisht atë me veprën përkatëse gjermanishte: ‘Ilyrisch-Albanische Forschungen». («Gazeta Shqiptare», 23 korrik 2006, f. 18-19)
Këtu Plasari orientalizon dhe emrin e Jireçek, duke e quajtur «Kostandin» sipas formës ortodokse, kur ai quhet «Constantine», pasi është katolik. Plasari, në shënimin nr. 2 përmend vetëm autorë dhe tituj librash pa bërë citime, çka është truku i zakonshëm i sharlatanëve që kërkojnë të tregojnë erudicion, pa i pasë lexuar librat që u referohen. Plasari nuk mund ta citonte Jireçekun, pasi libri i këtij të fundit që i referohet Plasari është në gjermanisht dhe Plasari nuk di gjermanisht. Ky është një fakt i njohur në rrethet intelektuale dhe akademike në Tiranë dhe Plasari nuk mund ta mohojë atë. Plasari, pra nuk e citon Jireçekun tek shënimi i famshëm nr. 2 i esesë së vet, për të na treguar se ku kalon Vija e Teodosit sipas Jireçekut. Edhe shënimi i famshëm nr. 2 që përmend ai në intervistën e mësipërme, tregon literaturën që supozohet të ketë përdorur Plasari për të dhënë një përmbledhje të shkurtër të historisë kishtare të trojeve shqiptare dhe jo atë që pretendon ai në intervistë. Ja se ç’ thotë Plasari në shënimin e famshëm nr. 2:
«Në vija të holla e përshkruajnë këtë histori D. Farlati: Illyricum Sacrum, Venetia 1751; Thalloczy: Acta et diplomata res Albaniae Mediae aetatis illustrantia si dhe Thalloczy-Jirecek: Ilyrisch-Albanische Forschungen; T. Minisci: Apunti di Storia Ecclestiastica Albanese, ‘Le Pleiadi’», Roma, ott.- dic. 1966 etj.; më sintetikisht e sjell Gj. Sinishta: The Fulfilled Promise. A Documentary Account of Religious Persecution in Communist Albania, Santa Clara 1976».(Aurel Plasari: «Vija e Teodosit rishfaqet», Shtëpia Botuese «Marin Barleti», Tiranë 1995, f. 19)
Siç shihet, Plasari përmend këtu metodën e vet të zakonshme të spekulimit, duke përmenduar autorë dhe libra, por pa bërë citime, që të kuptohet se i ka lexuar këto libra, ose së paku se ka lexuar autorë të tjerë që i citojnë ato. As në tekstin e esesë dhe as në shënimin nr. 2 nuk përmendet që Plasari t’ i referohet Jirecek-ut për Vijën e Teodosit dhe as që ta citojë Jirecek-un për atë se ku kalon kjo vijë. Duke i lejuar vetes një vulgaritet, për ta shpërblyer Plasarin me të njëjtën monedhë, po i them se Plasarin e gjeti si atë pulën që kakarisi shumë por bëri një vezë të keqe, me guackë bosh brenda. I gjithë libri i Plasari bën fjalë për një vijë të cilën ai nuk është në gjendje, ose nuk do që ta tregojë me dokumente se ku kalon saktësisht. Këtë nuk e sqaron as në intervistën e fundit, ku e ngatërron edhe me një vijë tjetër: «nga pikëpamja kulturore, vija që ndante më dysh rajonin ballkanik njihet edhe si ‘vija Jirecek’ (1854-1918), ose si ‘Vija Trau-Lezhë’, simbas emërtimit të Shufflayt». («Gazeta Shqiptare», 23 korrik 2006, f. 19)
Plasari prapë vazhdon të falsifikojë, pasi vija që përmend Shufflay nuk është vija e Teodosit, por vija e mbrojtjes strategjike të Imperisë Bizantinë përballë dyndjeve barbare. Shufflay, në librin «Serbët dhe Shqiptarët» shkruan për këtë vijë: «Vija e fortifikuar romake shkonte nga Tivari, përkatësisht Lezha përgjatë Drinit dhe përskaj rrugës së dikurshme romake (e cila në mesjetë kishte emrin ‘Via de Zenta’) që mbaronte në Prizren. Ky kufi bizantin nga mbarimi i shekullit XI ishte në të gjitha qafat dhe shtigjet i fortifikuar me hendeqe, me mure dhe me pirgje dërrase ose guri». (Milan Shufflay: «Serbët dhe Shqiptarët», «Bargjini», Tiranë 2002, f. 14-15)
Kjo vijë nuk ka të bëjë me atë që hoqi Teodosi I për të ndarë Imperinë Romane në vitin 393, e njohur si Vija e Teodosit dhe për të cilën çdo student historie e di se fillonte nga bregdeti dalmat, për të ndjekur rrjedhën e lumit Drina, atë të Lumit Sava, për të dalë në Danub. Le ta mësojë Plasari këtë gjë më në fund.
Si, Aurel Plasari falsifikon, për të thënë se ai e paraqiti i pari paradigmën e Samuel Huntington (2)
Plasari thotë në intervistën e vet: «Sot kur flitet për rajonin tonë, -që disa e quajnë Ballkan, ndërsa unë parapëlqej termin më të saktë ‘Europë juglindore’,- edhe në Europë përmendet rëndom se këtu qenkësh shfaqur njëfarë ‘Vije e Huntingtonit». Është fjala për konceptin figurative nxjerrë nga vepra e analistit amerikan Samuel P. Huntington ‘Ndeshja e qytetërimeve’, botuar për së pari në Neë York më 1996 (Simon and Schuster), dhe e cila pësoi një përthyerje edhe në mendimin shqiptar të kësaj periudhe». («Gazeta Shqiptare», 23 korrik 2006, f. 18)
Këtu zbulohet një tjetër spekulim i Plasarit, madje më sharlatanesk se i pari, gjë që kuptohet duke konsideruar atë që Plasari ka thënë më lart në intervistën e vet për meritat e tij në lidhje me Vijën e Teodosit: «Nëse autori i saj (i esesë, pra Plasari- K. M.) ka meritën e ndonjë ‘zbulimi’, në këtë mes, do të kishte qenë ‘zbulimi’ modest sa s’ ka ku të vejë më që të ketë vënë re qysh më 1992 që kjo vijë të jetë shfaqur përsëri». («Gazeta Shqiptare», 23 korrik 2006, f. 18)
Shikoni se ç’ meritë «modeste» kërkon për veten ky Aurel Plasari! Që ishte i pari që tha që në 1992 se «Vija e Teodosit» u rishfaq. Pra, Plasari kërkon asgjë më pak se t’ i marrë meritën Samuel Huntington për tezën e rishfaqjes në realitetet gjeopolitike të «fault line» gjeokulturore historike që ndan Europën, në erën e pas Luftës së Ftohtë dhe që Huntington e njëson me Vijën e Teodosit dhe zgjatimin e saj deri në Baltik në mesjetë. Tezën e rishfaqjes së kësaj vije, Samuel Huntington e paraqiti në një ese të botuar në vitin 1993, në revistën «Foreign Affairs»me titull «Clush of civilizations», ese që shërbeu si bërthamë për librin me të njëjtin titull që Huntington botoi në vitin 1996. Plasari qëllimisht përmend vetëm librin e vitit 1996 të Huntington dhe jo esenë e vitit 1993.
Plasari thotë se librin (broshurën) «Vija e Teodosit rishfaqet» e ka shkruar në vitin 1992. Këtë Plasari e thotë që të duket sikur ai e ka pasur këtë paradigmë, që para Huntington. Se kur e ka shkruar Plasari, këtë nuk e provon dot, por ajo që ka rëndësi është se kur e ka botuar. Eseja e Plasarit është botuar vetëm në vjeshtën e vitin 1993 një libër me përmbledhje artikujsh nga autorë të ndryshëm që botoi Ardian Klosi me titullin «Quo Vadis Shqipëri» (f. 38-53), në një version të parë prej vetëm 15 faqesh. Eseja në formën e saj të plotë u botua vetëm në numrin 3-4 të revistës «Hylli i Dritës», të vitit 1993, që ka qarkulluar në fund të vitit 1993, pra pas publikimit të esesë së Huntington. Me të dalë eseja e Huntington, Plasari shkroi shpejt e shpejt esenë e vet, në fillim një version të shkurtër (ose më saktë ultra të shkurtër se ajo edhe e plotë është e shkurtër), për librin që botoi Klosi, pastaj pak ditë më pas shkroi versionin e gjatë me rreth 18 mijë fjalë, për të cilën nuk duhet t’ i jetë dashur më tepër se një javë, aq më tepër që fragmente të tëra i ka marrë nga libri i Shufflay «Serbë dhe Shqipëtarë» (1926). Eseja u botua dhe në libër në fillim të vitit 1994, me format të vogël, sa për t’ u futur në xhepin e pasmë të pantallonave. Që eseja është shkruar me ngut kuptohet nga fakti se atje ka së paku tre faqe me citime në italisht, të cilat nuk janë përkthyer me shënim në tekst.
Që Plasari, në esenë e vet «Vija e Teodosit» rishfaqet ka kopjuar idenë e Huntington të fault line historike gjeokulturore që ndan Europën kjo duket qartë, kur Plasari shkruan: «Kësisoj divergjencat e sotme të ish-republikave jugosllave të detyrojnë t’ u kthehesh edhe një herë pasojave të kobshme të ndarjes së Perandorisë romane më dysh, më 393, sipas Vijës së perandorit Teodos. Ishte një vijë që fillimisht ndau dy perandori, mandjej veçoi e, me sa kuptohet, po vazhdon të veçojë dy botë. Zgjatimi verior i kësaj vije ndan sot dy Evropat lindore: njëra e zotërimit katolik dhe e ndikesës latine ose gjermanike, ku kalimi drejt demokracisë po bëhet butësisht; tjetra e zotërimit ortodoks, në mos edhe otoman, ku ky kalim po bëhet vështirësisht, ndonjëherë edhe a fortiori». (Aurel Plasari: «Vija e Teodosit rishfaqet», Shtëpia Botuese «Marin Barleti», Tiranë 1995, f. 12-13)
Kjo është paradigma e Huntington, për të cilin fault line gjekulturore historike europiane kalon nga Adriatiku në Balltik, duke ndarë arealin katolik, protestant dhe uniat nga ai ortodoks dhe musliman. Por ku kalon Vija e z. Plasari? Plasari nuk na e përshkruan vijën në tërësi. Plasari nuk e citonte dot Jirecek-un edhe sikur ta kishte lexuar, se atëhere do t’ i zbulohej pavërtetësia e paradigmës që ai paraqet në librin e tij, sikur Vija e Teodosit ndan shqiptarët dhe Shqipërinë, kur dihet që Jirecek e përshkruan me dokumente që kjo vijë niset nga bregdeti dalmat, ndjek lumenjtë Drina dhe Sava, për të përfunduar në Danub, i cili në kohën e Teodosit I ishte kufiri i Imperisë Romane.
Plasari, në esenë e vet «Vija e Teodosit rishfaqet» thotë se: «për shqiptarët Vija fatidike nuk është, sikurse nuk ka qenë, as gjeografike, as historike, as politike, por vijë që ndan dy mendësitë, perëndimoren dhe lindoren». (Aurel Plasari: «Vija e Teodosit rishfaqet», Shtëpia Botuese «Marin Barleti», Tiranë 1995, f. 96)
Por, Plasari në fillim të esesë na thotë qartë dhe saktë se Vija e Teodosit është vijë gjeokulturore: « Ishte një vijë që fillimisht ndau dy perandori, mandjej veçoi e, me sa kuptohet, po vazhdon të veçojë dy botë. Zgjatimi verior i kësaj vije ndan sot dy Evropat lindore: njëra e zotërimit katolik dhe e ndikesës latine ose gjermanike, ku kalimi drejt demokracisë po bëhet butësisht; tjetra e zotërimit ortodoks, në mos edhe ottoman, ku ky kalim po bëhet vështirësisht, ndonjëherë edhe a fortiori». (Aurel Plasari: «Vija e Teodosit rishfaqet», Shtëpia Botuese «Marin Barleti», Tiranë 1995, f. 12-13)
Në rast se Vija e Teodosit na qenka gjeokulturore për popujt e tjerë, atëhere përse për ne shqiptarët nuk na qenka ndryshe, pra vetëm vijë që që ndan mentalitetin? Ky është absurditet. Plasari tenton që të dalë nga ky absurditet, me një truk:
«Pas ndarjes së Perandorisë në të Lindjes e të Perëndimit, viset e Arbërit i ranë administrativisht perandorisë lindore. Në këtë mënyrë, popullsia e tyre jo vetëm i largohej Perëndimit, por asaj i kanoseshin dy rreziqe të mëdha: ai i helenizimit dhe ai i sllavizimit. Bizanti, me organizimin e fuqishëm ushtarak, me kulturën e zhvilluar, me ligjet e përkryera e me administratën e shtrirë, do t’ i kishte helenizuar shpejt këto vise. U kombinua ky rrezik me dyndjen sllave, të serbëve, bullgarëve, në Ballkan. Si kundërpeshë e fuqishme ndaj këtyre dy rreziqeve, në atë çast vendimtar, shërbeu fakti që kishërisht viset e Arbërit mbetën nën Romën edhe për dy shekuj të tjerë dhe krishterimi aty ruajti, përgjithësisht karakter latin». (Aurel Plasari: «Vija e Teodosit rishfaqet», Shtëpia Botuese «Marin Barleti», Tiranë 1995, f. 17-18)
Këtu Plasari bën një gafë par excellance se në vitin 393 kur imperatori Teodos ndaj imperinë Romane, nuk ekzistonin Perëndimi dhe Lindja si dy areale gjeokulturore, në sensin e mëvonshëm. As Ekumenia (bota e krishterë), që atëhere ishte e njësuar me Imperinë Romane nuk ishte ndarë teologjikisht në sensin e mëvonshëm, të katolicizmit dhe të ortodoksisë. Latinishtja mbetej gjuha administrative, si në Imperinë Perëndimore, ashtu dhe në Imperinë Lindore dhe kjo vazhdoi edhe për për më tepër se dy shekuj. Në aspektin kishtar, Romës (Papatit) iu dha nga Imperia Lindore juridiksioni mbi Ballkanin e vjetër roman dhe jo vetëm mbi viset e Arbërit, siç thotë Plasari, që Papa e administronte me anë të një vikari (zëvendësi) me qendër në Selanik. Pas të gjitha gjasave kjo qe një manovër e imperatorit lindor e bërë në kohën që imperia Perëndimore po shembej nën goditjet e fiseve barbare, për ta bërë Papatin që të mbante anën e Imperatorëve lindorë, që donin të vinin nën sundimin e tyre Imperinë Perëndimore, që po shpërbëhej. Dhe ky dualitet mori fund në vitin 732, kur imperatori bizantin Leoni III ia hoqi Papatit juridiksionin kishtar mbi Ballkanin bizantin, për shkak se Papati ishte afruar me Mbretërinë Franke, që bizanti e shihte si rivale dhe ia dha Patriarkanës së Konstantinopolit.
Plasari këtu shfaq një filokatolicizëm të zjarrtë, pasi në atë kohë ai qe bërë, me ndërhyrjen e At Zef Pllumit, kryeredaktor i revistës katolike «Hylli i Dritës», gjë që ashtu si filokatolicizmi i tij i atëhershëm, qe pjesë e një misioni prej «Kim Philby» që ai e kryente për llogari të Janullatosit, për të zbuluar se ç’ qëllime kishte Vatikani në Shqipëri dhe për të paraqitur tezën e vet të parapëlqyer se në Shqipëri katolikët dhe ortodoksët duhet të bashkëpunojnë politikisht dhe në të gjitha fushat, për mos ta lënë vendin në dorën e muslimanëve. Sigurisht që Plasari dhe ata që e çuan atë me këtë mision e kuptonin që ortodoksët duhet të dominonin dhe katolikët duhet të kënaqeshin me të qenët «violinë e dytë».
Por, ironia është se Plasari, pasi ka thënë që vija e Teodosit nuk ka vlerë gjeokulturore për Shqipërinë, çuditërisht fillon e zbulon në territorin shqiptar segmentin e Vijës së Teodosit. Në esenë e vet ai shkruan për Shqipërinë e periudhës së Luftës së Parë Botërore:
«Ç’ qe më e keqja, Vija e Teodosit qe shfaqur kësaj rradhe në një mënyrë të dukshme. Fronti midis dy palëve ndërluftuese, Italisë e Francës nga jugu, Austro-Hungarisë nga veriu, ndiqte anën e Vjosës, në veri të Vlorës, kalonte nëpër Mallkastër, Skrapar, Tomorricë, Vërçë, Mokër e delte në Pogradec». (Aurel Plasari: «Vija e Teodosit rishfaqet», Shtëpia Botuese «Marin Barleti», Tiranë 1995, f. 36)
Më qartë s’ ka ku të shkojë. Plasari e paska zbuluar segmentin e Vijës së Teodosit në Shqipëri, që kalon në Vijën «Vjosë (në veri të Vlorës)-Mallkastër-Skrapar- Tomorricë-Vërçë- Mokër- Pogradec). Por, sot Plasari e mohon këtë zbulim të vetin. Sipas Jirecekut, që u referohet arkivave, Vija e Teodosit fillon nga Danubi dhe ndjek Lumin Drina për të dalë në bregdetin adriatik, në Dalmaci. Plasari e çon këtë vijë shumë më në jug, në Vjosë. Pastaj proteston kur i thuhet se ai ka shpikur një vijë të Teodosit, të re. Për këtë zbulim Plasari nuk citon asnjë dokument, asnjë libër, asnjë autor. Ai thjesht vepron si atëhere kur qe nxënës-këpucar dhe hiqte vija mbi tabakët prej lëkure, për të shënuar vendin se ku do të priteshin. Zakonin i heqjes së vijave në tabakët e lëkurës, Plasari e mori me vete dhe kur filloi të studionte hartat. Në rast se Jireceku, të cilin Plasari kërkon ta përdorë si mburojë, do ta shihte këtë që ka bërë Plasari me Vijën e Teodosit, do ta kapte për veshi dhe do t’ i thoshte, ndoshta duke u shprehur në një term të Plasarit: Or horraxhi, shko dhe bëji tjetërkund horrllëqet e tua, se historiografia nuk është si letërsia pornografike, ku personazhet e tua pedofile heqin vija me penis sipas dëshirës mbi trupin e së dashurës!
Por, sharlatanizmi i Plasarit nuk mbaron këtu. Plasari nuk mjaftohet me këtë zbulim dhe zbulon një tjetër segment të Vijës së Teodosit në Shqipëri, kur shkruan për Ahmet Zogun:
«si për një përkim fatal, lumi i fëmijërisë së mbretit, Mati, kish qenë lumi që shënonte kufirin mes perandorisë romane të Perëndimit dhe asaj të Lindjes, pra pikërisht fillimin e Vijës së Teodosit. Me një fjalë, edhe vetë Zogu vinte nga një vijëndarje e lashtë, po edhe nga një vijëpuqje po aq e lashtë mes dy kulturash, dy mendësish e dy botësh. Po të gjykojmë nga termat e luftës së kontrasteve politike gjatë sundimit të tij, dilemma e ekuilibrit ishte ende larg së zgjidhuri për politikën shqiptare. Teodosjanka, më fort se luhatjet mes gruas hungareze e dashnores sllave, duhej ta linte edhe Mbretin e Shqiptarëve pa gjumë». (Aurel Plasari: «Vija e Teodosit rishfaqet», Shtëpia Botuese «Marin Barleti», Tiranë 1995, f. 73)
Pra, Plasari, pasi e ka zbuluar një herë në Lumin Vjosë segmentin shqiptar të Vijës së Teodosit, e zbulon edhe një herë tjetër më në veri, në Lumin Mat. Për këtë zbulim Plasari nuk citon asnjë dokument, asnjë libër, asnjë autor. Ai thjesht vepron si atëhere kur qe nxënës-këpucar dhe hiqte vija mbi tabakët prej lëkure, për të shënuar vendin se ku do të priteshin. «Teodosjanka», më tepër se Zogun paska lënë pa gjumë Plasarin, si një dashnore kapricioze, dhe Plasari i ka kaluar netët duke hequr vijat lakore të saj në hartën e Shqipërisë.
Pse e ka falsifikuar Aurel Plasari Vijën e Teodosit, duke e zbritur në Shqipëri, në Vjosë dhe Mat? (3)
Por, përse i duhet Plasarit që segmenti shqiptar i Vijës së Teodosit të kalojë në Lumin Mat? Kjo gjë atij i duhet për të krijuar formula gjeopolitike të ndryshimit të kufijve që i konvenojnë Greqisë. Një formulë të tillë Plasari e jep në esenë e vet, duke e paraqitur si tejhistorike:
«Pavarësisht termave të përdorur dhe interpretimeve dredharake, historiografia shqiptare shqiptare nuk e ka mohuar dot ekzistimin në Veri të Shqipërisë të një rajoni refraktar ndaj lëvizjes së quajtur nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët, lëvizje e ngulitur më fort në Jug e mandje në Mes të vendit. Këtë diferencim mes Jugut dhe Veriut të Shqipërisë e patën kapur edhe gjermanët. Nga sa mund të gjykohet prej ndonjë dokumenti të tyre ata bënë një plan për ndarjen e vendit duke krijuar në Veri një unitet të ri tokësor që përfshinte, përveç trojeve të Shqipërisë së vjetër në Veri të Tiranës, edhe Kosovën. Mirëpo asnjë nga historianët zyrtarë, me sa di, nuk është marrë me shqyrtimin e shkaqeve se përse orientimi politik i Veriut të Shqipërisë ishte i ndryshëm nga ai i shqiptarëve të Mesit dhe Jugut të vendit. Do të ishte një përgjithësim abuziv i llojit publicistik ta kundrosh këtë dallim si product të një ‘komploti elementësh reaksionarë’, aq më fort si një ‘përpunim të masave popullore nga ana e klerit reaksionar’. Çuditërisht, teoricienët e një ‘sociologjizmi pa brigje’ kanë refuzuar ta shohin këtë realitet si fryt të një gjendjeje specifike sociale të kombinuar me një traditë mendësie të lashtë, mbase shekullore». (Aurel Plasari: «Vija e Teodosit rishfaqet», Shtëpia Botuese «Marin Barleti», Tiranë 1995, f. 76-77)
Këtu, Plasari, kërkon të përdorë realitetin politik shqiptar të Luftës së Dytë Botërore, një propozim të të dërguarit të ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, në Tiranë, në vitet 1943-44, të dyja këto të vëna pas premisës së parë që është teza e tij false e kalimit të Vijës së Teodosit në Lumin Mat, për të konkluduar se idea e një gjermani për ta ndarë Shqipërinë, në sensin e kufirit shtetëror, në veri të Tiranës, mbështetet edhe në një ndarje historike gjeokulturore. Duke e quajtur idenë e gjermanit, si në pajtim me realitetet historike gjeokulturorë shqiptare, Plasari praktikisht kërkon të thotë se bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai e pranon si të natyrshëm, në rast se shteti aktual shqiptar ndahet në veri të Tiranës dhe pjesa veriore bashkohet me Kosovën. Dhe kur i shkruante këto gjëra, Plasari ka qenë duke konsideruar një ndryshim në perspektivë të kufijve në Ballkan dhe posaçërisht pretendimet territoriale të Greqisë në këtë rast. Synimi i Plasarit është që vija e kufirit të hiqet në veri të Tiranës, ndoshta në Lumin Mat, në mënyrë që Greqisë t’ i mbeten metropolet shqiptare, Tirana dhe Durrësi.
Por, edhe në rast se ndonjë ekspert gjerman i çështjeve shqiptare pati ndonjë ide të tillë, përsëri gjermanët nuk e ndryshuan entitetin shtetëror në trojet shqiptare, madje e zgjeruan atë, kur pas daljes së Bullgarisë nga Boshti, në shtator 1944, i bashkuan Shqipërisë edhe disa troje shqiptare, në Maqedoninë e sotme, që në 1941 i qenë dhënë Bullgarisë. Në rast se do të ndiqej logjika e Plasarit, atëhere do të duhej që të ndahej edhe Spanja, për shkak se gjatë luftës civile (1936-39), në gjysmën e saj dominonin komunistët dhe në gjysmën tjetër nacionalistët, duhet të ndahen po për të njëjtat arsye edhe Greqia, ku Veriu dhe një pjesë e ishujve qenë me komunistët dhe pjesa tjetër me nacionalistët. Kroacia, ku në Dalmaci kishte një lëvizje të zhvilluar komuniste, Sllovenia, për shkak se sllovenët e Istrias u bashkuan gjerësisht me lëvizjen komuniste etj.
Ironia tjetër është se Plasari njëherë i futi në mendje mirëbërsit të vet, Edi Ramës edhe një tjetër version shqiptar të Vijës së Teodosit, të cilën Rama e mori me entusiazëm dhe filloi ta propagonte në mënyrën e vet. Në gusht 2002, Edi Rama, i cili atëhere qe duke ndërmarrë një fushatë për të pikturuar muret përgjatë Lumit të Lanës, bëri një deklaratë të çuditshme në media, se këto mure shpejt do të bëhen ashtu si Muri i berlinit në Gjermani. «Muri i Berlinit» është një simbol konfliktual i ndarjes së një qyteti dhe Edi Rama kur diplomatët e huaj i hoqën vrejtje për këtë deklaratë të pamatur, u shfajsua duke thënë se ishte Aurel Plasari ai që ia kishte bërë krahasimin e Tiranës me Berlinin, duke i thënë se Vija e Teodosit kalonte në Lumin e Lanës.
A nuk duhet që Plasari t’ i përgjigjet kritikës që i bëj unë për spekulimet sharlataneske që ka bërë, duke shtrembëruar Vijën e Teodosit. Kur Sudja, ish-kolegia e Plasarit në këpucëbërje, u zu ngushtë dhe nuk kishte para të likuidonte faturat që kishte lëshuar, ajo filloi të thoshte se priste të vinte kompetenti, që do t’ i rregullonte të gjitha. Edhe Plasari, pasi kapet ngushtë nuk mund të japë tjetër përgjigje, veç se ai pret kompetentin që ia ka futur në mendje këto teza për t’ i propaguar.
Plasari nuk heq dot dorë nga spekulimet e tija. Pasi bëri zbulimin se Nëna Tereze nuk është shqiptare, por vllahe me origjinë nga Voskopoja, ai tashmë ka vendosur që t’ i shtrijë spekulimet e veta sharlataneske edhe në historinë e Skënderbeut, duke shkruar një libër për të. Libri i Aurel Plasarit për Skënderbeun është-po të vazhdoj me metaforën e Plasarit- si ajo veza që pritet të bëjë pula që po kakaris gjatë. Plasari e ka lajmëruar prej disa vitesh librin e tij për Skënderbeun. Edhe në intervistën e fundit ai thotë: «Pikësëpari Skënderbeu ‘im’ nuk do të jetë një tjetër jetëshkrim i Skënderbeut sambas modelit ‘jeta dhe vepra’, por një përpjekje e parë për të hartuar një histori politike të ‘poetit të madh të politikës shqiptare’, sikurse Montanelli e thirri».(«Gazeta Shqiptare», 24 korrik 2006, f. 10)
Këtu së pari është për të vënë duart në kokë, kur marrim vesh se pedagogu i estetikës në fakultetin e filologjisë nuk ka ndërmend ende që të merret seriozisht me detyrën për të cilën e paguan shteti me paratë e taksapaguesve, duke shkruar një tekst estetike, por merret sot e gjithë ditën me gjëra që nuk i takojnë aspak dhe për të cilat nuk është gjë tjetër veçse një amator, siç është historiografia e kohës së Skënderbeut, apo edhe politologjia për të cilën ai pretendon se do të jetë aspekti i ri i këtij libri.
Në një intervistë të gjatë që i ka dhënë ditores «Panorama», në 7 shkurt 2004, për librin e tij për Skënderbeun, Plasari shprehet: «Libri është konceptuar “simbas dokumenteve”, çfarë d.m.th. në një lloj kundërvënieje sa ndaj burimeve legjendare, aq edhe atyre tregimtare. Nga leximi i dokumentuar i historisë së Gjergj Kastriotit dhe të luftërave të tij rezulton që motivimet e rendit fetar të kenë ngritur peshë ndjeshëm, më ndjeshëm nga sa është pranuar në përgjithësi, dhe se do të ishte historikisht arbitrare t’i thjeshtoje këto motivime duke i përligjur si “mjete”, si “mbetëza” apo si “çështje ritesh dhe praktikash».
Këtu sharlatanizmi arrin kulmin. Një studiues që pretendon të bëjë një libër serioz për historinë e Skënderbeut, «sipas dokumenteve», duhet të njohë gjuhët e vjetra në të cilat janë këto dokumente, së pari latinishten dhe osmanishten, por dhe gjermanishten etj. Si na e paska bërë Plasari leximin e dokumentuar të historisë së Skënderbeut, kur ai nuk njeh asnjë nga gjuhët në të cilat janë dokumentet për periudhën e Skënderbeut.
Por, përse Plasari merret me historinë e Skënderbeut? Për të bërë spekulime të tjera sharlataneske, një nga skandalozët është ai se Skënderbeu vdiq për shkak të helmimit që i bënë gjatë vizitës në Romë (Selinë e Shenjtë) dimrin e viteve 1466-1467 (dhjetor-shkurt). Në intervistën e vet të 7 shkurtit 2004 për «Panorama», Plasari është shprehur: «Në kreun në të cilin kam trajtuar vdekjen e tij kam vënë në dukje se variantet e vdekjes, dhe përkatësisht vdekjes së Skënderbeut janë më shumë se një dhe ato do të duhen numëruar pa parapëlqime për ndonjë “variant zyrtar”. Madje, nëse duhet privilegjuar ndonjëri ndër këto variante, i bie të jetë ai i Volaterranos, bashkëkohës i Skënderbeut, që flet për një “helmim” të lidhur me vizitën e heroit në Romë, çfarë do të përkonte, nga ana tjetër, edhe me një variant të sëmundjes së Skënderbeut në Romë».
Pra, Plasari hiqet në fillim si studiues i paanshëm, por pastaj pranon si më të besueshëm variantin se Skënderbeun e kanë helmuar në Romë. Ky është shpërblimi që Plasari u bën katolikëve, që në vitet 1993-1999 e mbajtën si një bir të përkëdhelur, duke e bërë kryeredaktor të «Hylli i Dritës», si dhe drejtor të Institutit «At Gjergj Fishta».
Këto gjëra Plasari i bën se ai, pasi u shtir disa kohë si filokatolik i zjarrtë, tash ka kaluar në pozitat e fundamentalizmit ortodoks, që është shtrati i vet i natyrshëm. Aurel Plasari, në esenë «Europa si shpirt», botuar në përmbledhjen «Rrëmbimi i Europës», shkruan: «Formula ‘trashëgimia e përbashkët me me domethënie europiane’ na shpie me mend në epokën e para ndarjes kishtare, kur në mbarë Europën ishte e pranishme dhe active ortodoksia, e cila përbënte edhe për jetën shpirtërore të Perëndimit europian një komponente me peshë. Padija ose informimi sipërfaqësor prej librash shkolle joseriozë mund të na bëjnë sot të mos njohim ata gati dhjetë shekuj përgjatë të cilëve në Perëndimin europian mund të thuhet se ortodoksia pati zotëruar. Funksionon edhe ky si një tjetër keqkuptim kur bëhet fjalë për trashëgiminë e përbashkët me domethënie europiane’: një keqkuptim që mund të qesë krye deri te doktrinarë ‘të largët’ si një Huntington, për të cilët Krishterimi ortodoks u ndodhkësh në opozicion me Krishterimin katolik, ky nga ana e tij në opozicion me atë protestant». (Aurel Plasari: «Rrëmbimi i Europës», Shtëpia botuese «55», Tiranë 2005, f. 99-100)
Të thuash se Europa ka qenë fillimisht ortodokse, çka nënkupton se pastaj ka dalë prej Ortodoksisë, si shizmë, Katolicizmi, kjo është gjuha e fundamentalistëve ortodoksë, e murgjërve të Malit Athos. Një njeri që shkruan kështu, nuk duhet të jetë Drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Shqipëri. E vërteta historike është se nuk është Katolicizmi ai që është krijuar pas Ortodoksisë dhe e ka marrë kuptimin në raport me këtë të fundit, por e kundërta Ortodoksia e ka marrë kuptimin në raport me Katolicizmin. Për atë që e njeh sadopak historinë e Krishterimit kjo është fare e qartë.
Qendra e Krishtenimi u vu në Romë sipas asaj që i pati thënë Krishti San Pjetrit dhe që është përsjellë prej Ungjijve (Mateu 16: 18) se, ai (Pjetri) qe një gur (fjala Pjeter domethëne “gur”), i cili do të rrokullohej dhe atje ku ai do të ndalej, Krishti do të ndërtonte Kishën e vet, pra kristiane. Dihet se San Pjetri u kryqua në Rome, në Vatikan, gjate persekutimit të kristianëve. Për këtë arsye, Roma u bë qendër e Krishterimit, i cili atëhere qe ende klandestin. Mandej, në nisje të shekullit IV pas Kr., kur Imperatori roman Konstantin i Madh, e lejoi Krishterimin dhe e njofti si religjion legal, duke e njohur Papën si kreu i Kishës së krishtere. Imperatori ia dhuroi Papes vendin e kryqëzimit të San Pjetrit. Në Koncilin Sardicas (343 pas Kr.) u njoh supremacia e Papës së Romes mbi të gjithë Kishën e krishtere. Duke qenë se Imperia Romane u quajt si botërore, edhe religjioni i ri u quajt si botëror-prej këtej fjala “katolik” (botëror).
Krishterimi u quajt zyrtarisht Katolicizëm dhe u afirmua si religjioni zyrtar i Imperisë Romane, me ediktin e famshëm të Imperatorit Theodos I, i qitur në 7 shkurt 380 dhe ku thuhet se Imperatori njihte si religjion zyrtar veç: «atë që tradita e shpall se u është lënë trashëgim romakëve nga Apostulli Pjetër dhe që ndiqet nga Papa Damaz». ( Vito A. Sirago, “Perandori Teodos dhe ndarja e Ilirisë”, “Hylli i Dritës”, Tiranë, nr 1-2 1997, f. 16.)
E pra, kryeredaktor i «Hyllit të Dritës» kur është botuar ky shkrim ka qenë… Aurel Plasari! Përsëri i shkreti Imperatori Teodos I bëhet viktimë e sharlatanizmave të Aurel Plasarit. Në kohën kur Konstantini legalizoi religjionin e ri, me qendër në Romë, Ortodoksia nuk ekzistonte edhe për faktin e thjeshtë se qyteti i Konstantinopolit nuk pat perfunduar së ndertuari dhe atje nuk qe krijuar Patriarkana për të administruar kristianët e pjesës lindore të Imperisë.
Me ndërtimin e Konstantinopolit (324 pas Kr.) Imperia u bë bicentriste, së parit në rrafsh shtetëror dhe mandej edhe në rrafsh religjioz. Kjo e fundit ndodhi me krijimin në vitin 381 pas Krishtit të Patriarkanës së Konstantinopolit, kreu i së cilës qe i dyti në rradhë pas Papës së Romës. Me kalimin e kohës Patriarku i Konstantinopolit filloi të kërkonte barazi e deri edhe superioritet në raport me Papën. Ekumenia (bota e krishtene) filloi të përçahet. Debatet teologjike qenë njëri shkak i dasisë. Shkaku tjetër qe se imperatorët orientalë (bizantinë) nuk e pranonin doktrinën e Romës, sipas së cilës Kisha qe një qendër autonome në shoqëri, në raport me shtetin. Imperatorët orientalë donin t’ i kishin nën kontroll si shtetin ashtu dhe kishën.
Aurel Plasari kërkon që politika shqiptare të kthehet në linjat fetare, me aleancën «Vorio-Epir»-«Republikë e Mirditës» (4)
Për këtë arsye ata e nxitën dhe e mbështetën Patriarkanën e Konstantinopolit që të ndahet prej Romës. Por, ndarja (skizma) qe një gjë e rëndë dhe duhej një arsye shumë e fortë për të prishur integritetin botëror (“katolik”) të Kishës. Prandaj, me kalimin e shekujve, kur konflikti u thellua shumë, në Konstantinopol gjetën fjalën “ortodokse” (“e vërtetë”) për t’ ia kundërvënë Katolicizmit, duke pretenduar se ata qenë duke ndjekur parimet e vërteta të krishtere.
Sesi është e vërteta, lidhur me ndjekjen e parimeve, ky nuk nuk është subjekt i këtij shkrimi dhe secili bën zgjedhjen që do. E rëndësishme është se ka qenë Katolicizmi para Ortodoksisë dhe kjo e fundit doli si alternative e tij. Në aspektin terminologjik këtë nuk e mohojnë as vetë ortodoksët.
Plasari bëhet edhe më sharlatan kur i kundërvihet Samuel Huntington që thotë se Ortodoksia është edhe sot në konflikt me Katolicizmin. Plasari, derisa më shpërfill mua, duke mos më quajtur të një profili aq të lartë sa ai të polemizojë me mua, e quan veten të një profili aq të lartë sa të polemizojë me Samuel Huntington! Këtu Plasari përgënjeshtron Plasarin, pasi tek «Vija e Teodosit rishfaqet» Plasari bën fjalë për konfliktin historik midis Ortodoksisë dhe Katolicizmit që vazhdon edhe në kohën e jonë dhe pasi sjell disa shembuj për këtë thotë: «Me një grumbull të tillë keqkuptimesh, po të përdornim terminologjinë klasike, mund të thoshim se mes dy kishave, katolike e ortodokse, pishtari është ndezur. Evropa, pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe rënies së Perdes së Hekurt, nuk ndodhet aq para së ardhmes së saj, sa para së kaluarës».(Aurel Plasari: «Vija e Teodosit rishfaqet», Shtëpia Botuese «Marin Barleti», Tiranë 1995, f. 15)
Tekefundit, vetë paradigma e vijës së Teodosit, a nuk ka në thelb konfliktin mes Krishterimit perëndimor dhe atij lindor?
Por, përse Plasari sot ka ndryshuar mendje dhe praktikisht i mohon ato që ka shkruar për konfliktin mes krishterimit perëndimor dhe atij lindor? Plasari e bën këtë sepse ai tashmë ka filluar të dalë me idenë e bashkëpunimit politik të ortodoksëve dhe katolikëve në Shqipëri. Në një artikull të botuar në ditoren «Korrieri», në 2 prill 2005 dhe të ribotuar në 2 prill 2006, me titull «Ish-komunistët në Shën Pjetër», ku kritikon me të madhe faktin që në funeralin e Papa Gjon Palit II, Shqipëria u përfaqësua nga tre ish-komunistë, Nano, Moisiu dhe Berisha (Plasari bën këtu lojën e Edi Ramës), Plasari shkruan për një metodë djallëzore që «mund të dallohet e praktikuar edhe në Shqipëri prej mjedisesh të caktuara kinse politike; duke përdorur edhe mjetet e mundshme të komunikimit masiv për të vënë në jetë këtë direktivë, mjediset në fjalë kanë formuluar dendur shqetësimet e tyre kombëtareë jo vetëm për marrëdhëniet e mira mes Kishës Ortodokse dhe asaj Katolike në Shqipëri, por edhe për bashkëpunimet kulturore-fetare-politike-etj., të atyreve që ata i cilësojnë si intelektualë katolikë dhe intelektualë ortodoksë».(«Korrieri», 2 prill 2005, f. 19)
Pra, Plasari kërkon që politika shqiptare të devijojë nga linja historike e «Shqiptarisë», që e përjashton fenë nga politika dhe që lëvizjet politike të ndërtohen sipas linjave fetare, duke pasur një lëvizje politike me ngjyrim ortodoks dhe një lëvizje politike me ngjyrim katolik të cilat të bashkëpunojnë, duke qenë sigurisht, nën vizionin e Plasarit, katolikët nën urdhërat e ortodoksëve, pasi Plasari e ka thënë se Ortodoksia ka qenë para Katolicizmit. Kjo do të thotë që katolikët shqiptarë të bëjnë lojën politike të Greqisë, në një lloj aleance me fantazmat politike të së shkuarës, të Vorio-Epirit me Republikën e Mirditës, çka do të shërbente si një katalizator për ta shpërbërë shtetin shqiptar, duke shkaktuar në mënyrë të paevitueshme dhe ngritjen e një lëvizjeje islamike të llojit të Haxhi Qamilit, që edhe pse e vogël, do të qe aq e publicizuar nga mediat e huaja, sa për ta çuar Shqipërinë në humnerë. Për të realizuar këtë skemë, Plasari në 1993 u çua me mision në rrethet katolike, ku infiltroi me ndihmën e At Zef Pllumit, duke u paraqitur si filokatolik i zjarrtë. Por, kjo meriton një shkrim më vete. Një njeri që ka mendime të këtilla si të plasarit për politikën religjioze, është shumë e rrezikshme që të lejohet të jetë të jetë drejtues i një institucioni të rëndësishëm të kulturës shqiptare, madje është antikushtetuese.
Plasari, duke dashur që të zhvlerësojë kritikën që unë u bëj tezave të tij, shkruan duke iu referuar një artikulli që kam botuar unë dhe që nuk ka lidhje me Plasarin: «Mos u habisni që hakërrehen edhe kundër Shën Gjon Vladimirit : pse të jetë ky shenjtor në qarkun e Elbasanit dhe në Shqipëri?» («Gazeta Shqiptare», 24 korrik 2006, f. 10)
Pra, të thuash që Nëna Tereza nuk është shqiptare por vllahe është e pranueshme, ndërsa të thuash se përse një okupator serb i trojeve shqiptare është shenjtor i Kishës Ortodokse Shqiptare, kur atë nuk e njohin kishat e tjera ortodokse, është e papranueshme.
Plasari, për kritikën që i bëj unë shprehet se shkrimet e mia: «Janë, në fund të fundit, pjesë e shtimit të neurozës edhe në shoqërinë moderne shqiptare, prandaj nuk keni ç’ bëni veç se ta ruani lirinë e mediave prej tyre». («Gazeta Shqiptare», 24 korrik 2006, f. 10)
Por, Plasari që falsifikon Vijën e Teodosit, i akuzon SHBA-të për genocid kundër kombit shqiptar, shkruan se Nënë Tereza nuk është shqiptare por vllahe, shkruan se Skënderbeu vdiq pasi e helmuan në Vatikan, se politika shqiptare duhet të ndërtohet në linjat fetare, duke bashkëpunuar ortodoksët me katolikët, ka të drejtë që të ushtrojë lirinë e fjalës në media, ndërsa unë që e kritikoj jo. Plasari kthehet në zakonet e vjetra i kohës së «shtëpisë me gjethe», kur bën thirrje që unë duhet të përjashtohem me forcë nga mediat, kuptohet me forcën e shtetit, me penalizim. Plasarit duket që i vjen keq që sot nuk ekziston më në Kodin Penal neni 55 për agjitacionin dhe propagandën, që ai të bëjë një denoncim dhe të më dëbojë mua nga debati publik në birucat e burgjeve.
Plasari shkruan duke dashur ta shpërfillë kritikën time: «Unë me fletë-rrufetë jam mësuar qysh kur kam kam qenë adoleshent, kur më kritikonin për flokët që i mbaja më të gjata nga sa ‘duheshin’, për modelin e pantallonave, për butonat në mëngët e këmishës, le më për gjuhët e huaja që flisja. Sa fletë-rrufe të tilla kanë shpenzuar kundër meje, aq të mira qofshin! Të njohurit e atëhershëm e dinë që as më ka pasë qenë bërë vonë: vetëm sa zbavitesha me fletërrufetë, shalangosesha, si i thonë një fjale të bukur». («Gazeta Shqiptare», 24 korrik 2006, f. 10)
Si është e mundur që ky Plasari nuk kishte frikë nga regjimi komunist, kur dihet se ishte një njeri me biografi të keqe dhe se i ati qe kritikuar nga Enver Hoxha si zjarrist dhe se qe përmendur për keq tek librat e diktatorit «Kur Lindi Partia» dhe «Kur hidheshin themelet»? Bijtë e prindërve të tillë të deklasuar, e mbanin kokën ulur dhe përpiqeshin që mos t’ i binin në sy për gjë regjimit që vetëm shkak kërkonte për t’ i goditur dhe madje kur këta nuk i jepnin shkak shpesh regjimi e sajonte vetë atë. Çfarë lidhjeje kishte Plasari me regjimin komunist që i shpërfillte fletë-rrufetë, kur ai nuk njihet për ndonjë trim i madh? Plasarit nuk i kishte dalë e drejta e studimit për në shkollë të lartë (ajo i doli vetëm dhjetë vite pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 1983, me ndërhyrjen e vetë Enver Hoxhës dhe për këtë gjë ka një dokument).
Një njeri i tillë, që regjimi tregonte se e kishte vënë në shenjë, do të qe i çmendur që ta sfidonte regjimin, duke shpërfillur fletërrufetë, ose do të kishte një garanci se nuk do t’ i ndodhte gjë. Në kohën e regjimit komunist ka qenë një praktikë e njohur që disa bijve të prindërve të deklasuar, t’ u krijohej një reputacion prej një lloj «disidenti», sikur ata qenë njerëz të njohur botërisht si me «shfaqje të huaja» dhe pastaj këta përdoreshin që strukturat e regjimit të mblidhnin opinionet e të rinjve. Me gjasë si shpërblim për një mision të tillë, Plasarit iu dha e drejta e studimit në shkollën e lartë për gjuhë-letërsi në 1983, pas një shënimi që Enver Hoxha i çoi komitetit të partisë për Tiranën, që nuk pranonte t’ ia jepte të drejtën e studimit pasi i ati i Plasarit qe sharë nga udhëheqësi në fjalime e libra si trockist. E megjithë këto, Aurel Plasari e bënte zborin tek «shtëpia me gjethe», në qendër të Tiranës, duke u marrë me çështje inteligjente, ashtu siç qe marrë dhe gjatë shërbimit ushtarak, ndërsa njerëzve të tjerë me biografinë e tij regjimi u jepte në dorë lopatën e xhenierit, kur i çonte ushtarë.
Në fund të intervistës së vet Plasari, shpreh preokupimin e vet për implikimet që po i sjell shteti shqiptar antarësia e Shqipërisë në Konferencën Islamike. Plasari shkruan: «Ja shikoni pikërisht këto ditë: ngurimin e shtetit shqiptar dhe përkatësisht të qeverisë shqiptare, për t’ u prononcuar për konfliktin në Lindjen e Mesme; nuk e kam fjalën për prononcim medoemos pro ose kundër, por për një prononcim sidokudo, qoftë edhe formal sikurse kanë vepruar edhe shtetet e tjera demokratike. Ç’ të jetë ky handicap? Është ndjerë paraprakisht sikleti që Konferenca e Vendeve Islamike do të mblidhet ngutësisht për këtë konflikt dhe Shqipëria nuk do të ketë nga t’ ia mbajë në rastin e një resolute të re». («Gazeta Shqiptare», 24 korrik 2006, f. 10)
Shumë bukur, por a nuk qe dhe ky problem në vitet 2001-2002, kur Izraeli ndërmori një msymje të bujshme ushtarake në territoret palestineze dhe kundër Izraelit u ngritën protesta jo vetëm në vendet islamike, por edhe në OKB. Pse nuk foli atëhere Plasari, kur dihet se as atëhere shteti shqiptar nuk reagoi ndryshe nga ç’ reagoi sot ? Edhe atëhere u mblodh Konferenca Islamike dhe Shqipëria bishtnoi, me mënyrat që bëjnë disa deputetë të mazhorancës sot në parlamentin tonë. Duket se kështu do të sillet Shqipëria edhe në këtë situatë. Kritika e Plasarit për këtë çështje është e drejtë, por e njëanshme, çka e kompromenton atë. Pastaj, një nëpunës i shtetit, që është në krye të një institucioni kulturor që duhet të rrijë mbi politikën nuk duhet të prononcohet për këto gjëra. Z. Ministër i turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në varësi të së cilit është Plasari, duhet ta thërresë këtë nëpunës ekcentrik dhe t’ i kërkojë të zgjedhë midis detyrës që mban dhe punës së analistit politik.
Pastaj pse Plasarit nuk i erdhi turp dhe nuk reagoi kur në nëntor 2002, në kohën e fushatës që Izraeli ndërmori kundër terrorizmit islamik në territoret palestineze, në një miting proteste që zhvilluan një grup ekstremistësh islamikë në Sheshin «Nënë Tereza», në Tiranë, mori pjesë dhe një prift ortodoks, që foli në emër të Kishës Ortodokse Shqiptare, duke dënuar fushatën izraelite. Kjo aleancë e Kishës Ortodokse Shqiptare të drejtuar nga Janullatosi, me ekstremistët islamikë, është shumë sinjifikuese, duke qenë se dëshmon se antisemitizmi është i ngulitur thellë në mendimin ortodoks. Pse nuk reagoi me këtë rast Plasari, si ortodoks që është dhe si një njeri që shkon në kishë dhe të thoshte se i vjen turp që i përket Kishës Ortodokse, kur ajo mori anën e terroristëve islamikë?
Nuk mundet që Plasari në zyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, të përdorë kompjuterin e blerë me paratë e taksapaguesve, rrymën elektrike të paguar po kështu, fluksin e Internetit të paguar po kështu, për të bërë punët e veta private prej gjoja studiuesi dhe analisti politik. Plasari e ka shndrruar zyrën e vet të drejtorit në Bibliotekën Kombëtare në zyrë private, ku bën punët e veta private, ku shkruhen librat e tij dhe një pjesë e mirë e personelit të Bibliotekës Kombëtare, që paguhen me paratë e taksapaguesve, janë në shërbim të Plasarit si «studiues» dhe autor librash, duke lënë pas dore detyrat për të cilat paguhen. Plasari ka punësuar pranë Bibliotekës kombëtare dhe paguan me paratë e taksapaguesve disa historianë të vjetër, të cilët i përdor për të plotësuar mangësitë që ka në përgatitjen intelektuale si studiues i historisë, duke i vënë t’ i lexojnë dokumentet në latinisht, gjermanisht, osmanisht, greqishte e vjetër, sllavisht, gjuhë të cilat Plasari nuk i njeh, por që ka kurajën prej sharlatani që të citojë prej tyre në esetë që shkruan dhe në librin e pritshëm për Skënderbeun.
Plasari, i cili ka tetë vite që është drejtor i Bibliotekës Kombëtare, e ka sabotuar modernizimin dhe reformimin e këtij institucioni të rëndësishëm të kulturës kombëtare, në të gjitha mënyrat e mundshme. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve duhet ta pyesë Plasarin se c’ u bë me fondet për instalimin e sistemit të kondicionerëve të ajrit në mjediset e Bibliotekës Kombëtare. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është me siguri e vetmja në botë që nuk ka një sistem të kondicionimit të ajrit. Z. Ministër duhet ta pyesë Plasarin se c’ u bë me projektin për kompjuterizmin e Bibliotekës Kombëtare që është nga të rrallat në botë të pakompjuterizuara. Z. Ministër duhet t’ i kërkojë llogari “oksidentalit” Plasari edhe për praktikën e tarafeve që ndjek në emërimet në administratën e Bibliotekës Kombëtare dhe një shembull për këtë kemi me intervistën e fundit të Plasarit në “Gazeta Shqiptare”, ku intervistuesi i Plasarit që i bënte pyetjet sipas konvenimit të Plasarit (një dialog kurioz ky i njerëzve nga “shtëpia me gjethe”) ishte miku i ngushtë i këtij dhe gruan e tij Plasari e ka bërë nëndrejtoreshë të Bibliotekës Kombëtare.
Z. Ministër i turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve duhet që urgjentisht të krijojë një komision për të shqyrtuar problemin e hartave në Bibliotekën Kombëtare, pasi kur erdhi Plasari në këtë institucion, një nga detyrat e tij ishte që të asgjesonte hartat me rëndësi për historinë shqiptare nga librat e kësaj biblioteke, çka përbën një krim ndaj kulturës kombëtare. Edhe dekani i fakultetit të filologjisë duhet ta shqyrtojë me seriozitet qenien e Plasarit pedagog i estetikës në këtë fakultet, kur ky i fundit e ka neglizhuar krejtësisht këtë detyrë, duke e bërë lëndën e estetikës fiktive në Universitetin e Tiranës.
Është koha që Plasari të largohet nga kultura shqiptare, së paku institucionet e saj dhe detyra akademike, ashtu siç u largua Sudja nga financa e lartë. Z. Plasari nuk ka kohë që të kryejë detyrën e vet si drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe si pedagog, pasi ai njëkohësisht merret me “historiografi”, çështje të inteligjencës, analiza politike, letërsi pornografike.





