nga Kastriot Myftaraj
Aurel Plasari, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, është ilustrimi më i mirë i një fenomeni të çuditshëm të shoqërisë shqiptare të tranzicionit, kur njerëz që paraqesin teza ekstravagante dhe të paargumentuara, fitojnë reputacionin e intelektualëve dhe studiuesve të shquar të shumë fushave dhe marrin madje edhe drejtimin e institucioneve të rëndësishme të kulturës shqiptare. Aurel Plasari, i cili në kohën e regjimit komunist qe një përkthyes letërar kryesisht nga gjuhët rumune dhe greke, në periudhën paskomuniste u bë në vitin 1993, pedagog i estetikës në fakultetin e filologjisë në Universitetin e Tiranës (departamenti i gjuhë-letërsisë), detyrë të cilën e mban dhe sot, për të marrë në 1998 edhe postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të cilin gjithashtu e mban edhe sot. Por, Plasari merret me gjithçka veç këtyre dy punëve me të cilat supozohej që të merrej dhe për të cilat paguhet nga shteti shqiptar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Plasari të kujton atë personazhin e romanit satirik të Robert Escarpit, «Literatroni», që quhej Ratel, i cili qe ekspert për gjithçka dhe për asgjë. Plasari paraqitet në median e shkruar dhe elektronike si ekspert në fusha nga më të ndryshmet, që nga historia e Shqipërisë e të gjitha periudhave, çështjet fetare, politika botërore, demografia etj., në gjithçka veç dy fushave për të cilat paguhet me paratë e taksapaguesve.
Dhe, në këto aventura intelektuale të vetat, Aurel Plasari, ka bërë falsifikime sharlataneske, të cilat në çdo vend serioz do ta kompromentonin përgjithmonë reputacionin e një njeriu. Plasari, në librin «Vija e Teodosit rishfaqet» (1992) përvetëson dhe falsifikon hapur një gjetje të studiuesit K- Jireçek mbi «Vijën e Teodosit», të cilët e zhvendon nga Mali i Zi, në Lumin Mat në Shqipëri. Në vitin 2003 këtë përvetësim dhe falsifikim e denoncoi studiuesi Pëllumb Xhufi, gjë që për hir të së vërtetës unë e kam bërë në një libër të botuar që në vitin 2001. Në vitin 2003, në një artikull me titull «Bojaxhinjtë e Nënë Terezës» të botuar në ditoren «Shekulli», Plasari paraqit tezën sharlataneske se Nëna Tereze është vllahe me origjinë nga Voskopoja. ka mbrojtur teorinë që Nëna Tereze është vllahe. Plasari ka gjetur kohë të shkruajë dhe një libër pornografik me titull «Dhjetë ditë që nuk tronditën botën» (edhe këtu si tek «Vija e Teodosit» ai bën plagjiaturë duke kopjuar titullin e librit të famshëm të John Red), por ende nuk ka gjetur kohë që të shkruajë një tekst të estetikës për studentët dhe publikun shqiptar, çka është detyrimi i vet. Për të treguar bëmat e Aurel Plasarit do të duheshin formate të madhësisë së çarçafëve mbi të cilat ndodhin skenat seksuale perverse të librit «Dhjetë ditë që nuk tronditën botën», por këtu do të mjaftohem me një aspekt, atë të antiamerikanizmit paranoiak të tij, të shfaqur në periudhën paskomuniste, në disa artikuj dhe libra.
Në vitin 1994, Aurel Plasari botoi në revistën «Hylli i Dritës», që dilte atëhere në Tiranë dhe ku Plasari qe kryeredaktor, një artikull të gjatë me titullin pretencioz «Si mund të fillojë në Shqipëri krimi kundër kombit». Në fakt, fati i kombit shqiptar nuk e preokupon shumë Plasarin, i cili në artikujt dhe librat e veta ka bërë krime intelektuale kundër kombit shqiptar, por qëllimi i Plasarit është që të kultivojë tek shqiptarët një antiamerikanizëm virulent, duke i paraqitur SHBA-të si djallin që kërkon të asgjesojë kombin shqiptar. Në këtë libër, Plasari kopjon disa teori të autorëve periferikë ultraradikalë antiamerikanë nga vende të ndryshme të botës, të cilët preokupimin e shfaqur nga studiues dhe shtetarë amerikanë për pasojat e rritjes së pakontrolluar demografike botërore e shndrrojnë në premisë për një teori konspiracioni sipas së cilës SHBA-të duan të bëjnë genocid në shkallë botërore kundër njerëzimit duke asgjesuar popujt e botës së tretë, me anë të metodave të planifikimit familjar. Në fakt, për pasojat e pakontrolluara të rritjes demografike, sidomos në botën e tretë, kanë dhënë alarmin studiues dhe shtetarë jo vetëm nga SHBA-të, por edhe nga Europa, posaçërisht nga Franca, por edhe nga Greqia. Por, Plasari në artikullin e vet, për të ilustruar bartësit e këtyre teorive paraqit shembuj që kanë të bëjnë vetëm me SHBA-të, me studiuesit dhe shtetarët amerikanë, të nivelit më të lartë.
Plasari shkruan: «Emri i George W. Ball-it ka mbetur me shenjë në politikën e Shteteve të Bashkuara si ai i njërit ndër këshilltarët më me ndikim të presidentit Nikson. Idetë e tij origjinale, si kjo e mëposhtmja e shpalosur në ‘Life’, përmenden edhe sot e gjithë ditën ngase u takojnë edhe dhjetëvjeçarëve tanë: ‘Së paku edhe në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, pakënaqësia e kombeve më të varfëra nuk do të përbëjë ndonjë kërcënim për shkatërrimin e botës. Sado e turpshme të jetë, bota ka jetuar, për breza me rradhë, dy të tretat e varfër dhe një e treta e pasur. Sado e padrejtë të jetë, fuqia e vendeve të varfëra është e kufizuar».(Aurel Plasari: «Si mund të fillojë në Shqipëri krimi kundër kombit», «Hylli i Dritës», Tiranë 1994, f. 99)
Këtë ide që ka shprehur Ball e kanë shprehur, në një mënyrë ose në një tjetër, dhe nga shumë politikanë të tjerë perëndimorë dhe lindorë(në periudhën paskomuniste), por Plasari zgjedh të sjellë rastin e amerikanit Ball, ish-këshilltar presidencial në SHBA-të. Kjo ndodh se Aurel Plasari kërkon të kultivojë antiamerikanizmin tek shqiptarët. Unë nuk dua ta mbroj George W. Ball, por ajo që ka thënë është një shprehje e sinqertë e atij çka është realiteti në vbotën ku jetojmë. Dhe Plasari bën këtë koment për deklaratën e Ball: «Emrin e këtij farë Ball-i, që specialistët e SHBA-ve e quajnë politikan, por tjetërkush ka të drejtë ta quajë edhe sharlatan, e kam gjetur në një vëllim aktesh në selinë e OKB-së në Gjenevë, nga koha kur ai kryesonte delegacionin e Shteteve të Bashkuara në Konferencën e Parë të Tregëtisë e të Zhvillimit». (Aurel Plasari: «Si mund të fillojë në Shqipëri krimi kundër kombit», «Hylli i Dritës», Tiranë 1994, f. 99-100)
Si na paska ndodhur që pedagogu i estetikës në fakultetin e filologjisë në Universitetin e Tiranës na paska shkuar të bëjë kërkime të thella në arkivat e OKB-së në Gjenevë? Kush e paska paguar për këtë gjë? Mos ndoshta për këtë arsye ai nuk ka gjetur kohë që të merret me punët për të cilat i jep rrogën shteti shqiptar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, si pedagog i estetikës, duke mos përmbushur edhe sot e kësaj dite, pas 13 vitesh si pedagog detyrimin minimal për të shkruar një tekst të estetikës për studentët?
Plasari, më tutje në artikullin e vet, shkruan: «Më kujtohet (edhe një herë!) një shkrimtar amerikano-latin, i cili propozonte të shkruhej rrugëve parrulla: ‘Të luftojmë varfërinë! Të vrasim përditë nga një lypës!’ Mbrapa humorit të tij të zi fshihet një e vërtetë serioze. Pa kaluar te teoritë e Maltusit, që përmenden rëndom, mund të ndaleshim te një ndër pasuesit e tij më në zë, tek amerikani McNamara, ish-president i Fordit, ish-president i Bankës Botërore, po dhe ish-sekretar i Mbrojtjes. I përket atij teoria simbas së cilës pengesën më të madhe për përparimin e vendeve të nënzhvilluara e përbën shpërthimi demografik dhe që Banka Botërore duhet t’ u japë përparësi, në huatë që jep, vendeve që zbatojnë planifikimin dhe kontrollin e lindshmërisë. Shqiptarët të mos habiten, pra, që në strategjinë e ‘planifikimit familjar’ në Shqipëri të jenë ngatërruar edhe inicialet FMN: Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në të gjitha vendet tradicionalisht të nënzhvilluara ka qenë bërë e famshme një frazë e Lindon Johnson-it, të cilën ne vetëm tani e mësojmë: ‘Pesë dollarë të investuar kundër lindjes së popullsisë janë më të efektshëm sesa njëqind dollarë të investuar në mëkëmbjen e ekonomisë’. (Aurel Plasari: «Si mund të fillojë në Shqipëri krimi kundër kombit», «Hylli i Dritës», Tiranë 1994, f. 102)
Përsëri, Plasari sjell si shembull dy shtetarë nga SHBA-të, një ish-sekretar mbrojtjeje (McNamara) dhe një ish-President (Lindon Johnson). Plasari i kritikon këto teori në aspektin moral, por eviton të shprehet për thelbin e problemit, pasojat e boom-it demografik në shumë vende të botës së tretë, që çojnë në mënyrë të paevitueshme në kolapsin e këtyre shoqërive, në varfëri, destabilizim, luftra, shkatërrim të mjedisit etj. Këtë paralajmërim e ka bërë dikur ish-Presidenti i SHBA-ve, Dight Eisenhower, të cilin Plasari e kritikon rreptë:
«Dweyt Eisenheuer-i, nga ana e tij, bënte parashikimin uellsian se, sikur banorët e tokës të vazhdonin të shumëzoheshin me të njëtin ritëm, jo vetëm ‘do të shtohej rreziku i revolucionit’, por ‘do të ndodhte një rënie e nivelit të jetesës të të gjithë popujve, duke përfshirë edhe tonin (d.m.th. të Eisenhauer-it me shokë)». (Aurel Plasari: «Si mund të fillojë në Shqipëri krimi kundër kombit», «Hylli i Dritës», Tiranë 1994, f. 102)
Përsëri Plasari sjell si ilustrim një shtetar amerikan, të cilit ia shkruan gabim emrin. Plasari shkruan Dweyt Eisenheuer (disa herë), në vend të Dwight Eisenhower. Në fakt, parashikimi i Eisenhower është bërë realitet sot në shumë vende të varfra dhe të mbipopulluara të botës së tretë. Këtë Plasari nuk e mohon dot. Më tutje Plasari shprehet se koncepti i SHBA-ve për qytetërimin është barbar nga pikëpamja e popujve të tjerë, duke përfshirë dhe shqiptarët: «Gjithsesi McNamara qe ai që, lidhur me të ashtuquajturin ‘kontroll të lindshmërisë’, formuloi një tezë e cila për amerikanët mund të jetë kulmi i qytetërimit të shekullit XX, ndërsa për popuj si yni s’ mund të quhet veçse barbare: ‘Po qe se një vend në zhvillim që ka të ardhura mesatare për kokë nga 150 në 200 dollarë në vit, arrin të ulë pjellshmërinë në 50 për qind gjatë një periudhe prej 25 vjetësh, krye tridhjetëvjetësh të ardhurat e tij për kokë do të ishin së paku 40 për qind më të larta nga sa do të kishin qenë në të kundërt, dhe dy herë më të mëdha mbas 60 vjetësh». (Aurel Plasari: «Si mund të fillojë në Shqipëri krimi kundër kombit», «Hylli i Dritës», Tiranë 1994, f. 102-103)
Këto që ka thënë dikur Mc Namara janë duke u vërtetuar sot dhe këtë gjë Plasari nuk mund ta mohojë dot. Shifrat janë kryeneçe. Plasari, zbulon qartë që e ka me SHBA-të posaçërisht, kur bën këtë koment ironik: «Lexuesi ka për t’ u befasuar, besoj, kur të marrë vesh se vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, brenda kufijsh të tyre, nuk vuajtkan nga problemi i ‘shpërthimit të lindshmërisë’, ndërkohë që interesohen e shqetësohen si askush tjetër për të eksportuar në të katër anët e planetit ‘politikën e planifikimit familjar’». (Aurel Plasari: «Si mund të fillojë në Shqipëri krimi kundër kombit», «Hylli i Dritës», Tiranë 1994, f. 103)
Por, këtë punë e bëjnë dhe shumë vende të tjera të zhvilluara perëndimore dhe joperëndimore, por ato Plasari nuk i përmend. Ai e ka vetëm me SHBa-të se kërkon të kultivojë antiamerikanizmin tek shqiptarët. Një gjë që të bën përshtypje në artikullin e Plasarit është se ai nuk jep referenca për citimet që bën. Kjo tregon se Plasari nuk ka lexuar literaturë për të gjetur citimet për artikullin, por i ka marrë të gatshme. Artikulli dhe citimet që ngjan si dy pika uji me një raport që qarkulloi dhe që iu atribua një shërbimit sekret europian ku synoheshin të denigroheshin SHBA-të.
Pasi i ka shkruar të gjitha ato që solla më lart, Plasari arrin në një konkluzion të kopjuar nga manualet e propagandës antiamerikane të qarqeve më ekstremiste të lëvizjes nonglobal. Plasari shkruan: «Në këtë kuptim, pilulat dhe dispozitivët brendamitrorë konkurojnë denjësisht me bombat dhe mitralozët. Fundja, hera e parë nuk është në historinë e luftës mes kapitalizmit qendror dhe kapitalizmit periferik që që të rezultojë më higjienike e më ekonomike t’ i vrasësh burrat në mitër të nësës sesa nëpër rrugë a nëpër male!» (Aurel Plasari: «Si mund të fillojë në Shqipëri krimi kundër kombit», «Hylli i Dritës», Tiranë 1994, f. 103)
Kështu pra, SHBA-të akuzohen se janë duke bërë genocidin më të madh në histori kundër njerëzimit. SHBA-të këtu dalin sikur janë më të këqija se Gjermania naziste apo ish-Bashkimi Sovjetik se ata i vrisnin njerëzit në dhomat e gazit, gulage, luftra, ndërsa ata i vrasin në gjendjen e fetusit. Dhe këto gjëra Plasari nuk i ka shkruar në kohën e komunizmit (propaganda e regjimit komunist nuk la gjë pa thënë për SHBA-të, por deri në këto akuza nuk arriti). Plasari këto gjëra i ka shkruar në periudhën paskomuniste, të fjalës së lirë. Kështu që ai nuk mund të ketë për këto shfajsimet e llojit «ashtu qe koha» që përdor për parathëniet plot patos marksist-leninist që ka shkruar në librat e autorëve të huaj që i ka përkthyer. Pra, Plasari në këtë rast e ka bërë çdo gjë me vullnetin e vet të lirë. Për hir të së vërtetës, as propaganda e regjimit komunist shqiptar të Enver Hoxhës, që nuk la gjë pa thënë për SHBA-të, nuk ia ka bërë akuza të tilla monstruoze si këto që i ka bërë Plasari.
Por, Plasari nuk ka ndërmend të shfajsohet. Ai shkon më tutje duke i nxitur intelektualët ta shohin çështjen e kontrollit të lindjeve si të ngjashme me hedhjen e bombave atomike nga ana e amerikanëve në Hiroshima dhe Nagasaki, në fund të Luftës së Dytë Botërore: «Fundja, një nga dhembjet më të mëdha të intelektualëve të kohës sonë është se nuk e tolerojnë dot mendimin statistikor mbi njerëzimin; për shembull, mendimi statistikor se duke vrarë 200 000 civilë shpëtojmë 500 000 ushtarë (rasti i bombardimit të Hiroshimës e Nagasakit) atyre u duket kriminal: e shumta syresh, me siguri, nuk do të pranonin kurrë të vrisnin 1 fëmijë për të shpëtuar dhjetë ushtarë». (Aurel Plasari: «Si mund të fillojë në Shqipëri krimi kundër kombit», «Hylli i Dritës», Tiranë 1994, f. 105)
Pra, Plasari e bën fakt të kryer që kontrolli i lindshmërisë në botë është pjesë e strategjisë ushtarake amerikane dhe u apelon intelektualëve që t’ i kundërvihen kësaj njëlloj si luftrave. Më tutje Plasari i akuzon SHBA-të se këtë genocid, që ai ua atribuon atyre, kërkojnë ta bëjnë edhe ndaj kombit shqiptar: «Në Washington, ashtu si në ndonjë kryeqytet të Evropës, duhet të kenë shkaqe për të dyshuar se popullit të varfër shqiptar nuk i pëlqen më të vazhdojë të jetë i varfër; por ky problem afërmendsh, nuk zgjidhet duke i asgjësuar paraprakisht shqiptarët qysh në mitër të nënës». (Aurel Plasari: «Si mund të fillojë në Shqipëri krimi kundër kombit», «Hylli i Dritës», Tiranë 1994, f. 105)
Pra, vetëm SHBA-të akuzohen këtu se duan të bëjnë genocid edhe kundër kombit shqiptar duke e asgjesuar që në fetus! Kështu kultivon antiamerikanizëm Plasari tek shqiptarët në kohën që nga kancelaritë e vendeve fqinje dhe më tutje po përgatiteshin të zbatoheshin skema për asgjesimin e shqiptarëve me anë të genocidit, në Republikën e Shqipërisë, në 1997, në Kosovë, në 1999 dhe në Maqedoni, në 2001, që do të kishin pasur sukses pa ndërhyrjen amerikane. Dhe kqyrni si shprehet Plasari: Kryeqytetin e SHBa-ve, Washingtonin ai e përmend nominalisht, ndërsa shprehet dhe për «ndonjë kryeqytet të Evropës» pa e emërtuar atë, duke mos u kuptuar se për kë është fjala, a thua edhe për kryeqytetin e Azerbajxhanit, apo të Moldovës, që gjithashtu janë në Europë.
Kur Aurel Plasari lavdëronte Kuranin dhe Islamizmin për të kënaqur mikun e vet Xhahid Xhaferri dhe për paratë e fondacionit arab «Al Haramein»
nga Kastriot Myftaraj
Argumentin e mësipërm Plasari e zgjeron në një libër të botuar në vitin 1997, me titull «Përballë një kulture të vdekjes», botim i «Hylli i Dritës». Atje Plasari bën një rikapitulim të argumentit të paraqitur në artikullin e vitit 1994: «Për të mos mbetur në ‘ndërdyshje’ të përgjithshme, por për t’ i mbështetur atom bi fakte konkrete, në artikullin Si mund të fillojë në Shqipëri krimi kundër kombit , denonconim tezat e teoricienëve zyrtarë (kryesisht të administratës amerikane), si: 1) Tezat e George W. Ball-it mbi rrezikshmërinë e ‘shpërthimeve demografike’ në vendet e Botës së Tretë; 2) Parimi i teoricienit tjetër amerikan Lindon Johnson, i cili është formuluar kështu: ‘Pesë dollarë të investuar kundër lindjes së popullsisë janë më të efektshëm sesa njëqind dollarë të investuar në mëkëmbjen e ekonomisë’; 3)Tezat e Dweyt Eisenheuer-it, i cili bën parashikimin wellsian se, sikur banorët e Tokës të vazhdonin të shumëzoheshin me të njëjtin ritëm, jo vetëm ‘do të shtohej rreziku i revolucionit», por ‘do të ndodhte një rënie e nivelit të jetesës së gjithë popujve, duke përfshirë dhe tonin’ (d.m.th. të Eisenheuer-it); 5) Teza e amerikanit McNamara (ish-president i Fordit, ish-president i Bankës Botërore, pod he ish-sekretar për Mbrojtjen i SHBA), e cila formulohet tekstualisht kështu: ‘Po qe se një vend në zhvillim që ka të ardhura mesatare për kokë nga 150 në 200 dollarë në vit, arrin të ulë pjellshmërinë në 50 për qind gjatë një periudhe prej 25 vjetësh, krye tridhjetëvjetësh të ardhurat e tij për kokë do të ishin së paku 40 për qind më të larta nga sa do të kishin qenë në të kundërt, dhe dy herë më të mëdha mbas 60 vjetësh». (Aurel Plasari: «Përballë një kulture të vdekjes», botim i «Hylli i Dritës, Tiranë 1997, f. 7-8)
Artikulli i botuar në vitin 1994, pra nuk qe një lajthim i momentit i një njeriu të çekuilibruar. Plasari e përsërit argumentin fjalë për fjalë në vitin 1997. Madje shton: «I bënim thirrje lexuesit shqiptar, së paku, të befasohej duke marrë vesh se vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, brenda kufijsh të tyre, nuk vuajtkan nga problemi i ‘shpërthimit të lindshmërisë’, ndërkohë që interesohen e shqetësohen si moskush tjetër për të eksportuar në vendet e ‘Botës së Tretë’ ‘politikën e planifikimit familjar».(Aurel Plasari: «Përballë një kulture të vdekjes», botim i «Hylli i Dritës, Tiranë 1997, f. 8)
Pra, kemi të bëjmë me një koherencë mendimi nga ana e Plasarit. Në vitin 1997, në kohën kur në Kosovë kishte rënë hija e kobshme e genocidit të ardhshëm serb, që do të fillonte vetëm pas pak muajsh, në fillim të vitit 1998, dhe kur i gjithë kombi shqiptar i kishte sytë nga SHBa-të, si i vetmi vend që mund t’ i shpëtonte shqiptarët e Kosovës nga genocidi serb, një intelektual shqiptar i kalibrit të Plasarit, botonte një libër ku i akuzonte SHBA-të për genocid kundër kombit shqiptar!?
Madje Plasari, në vitin 1997 botoi edhe një libër tjetër, me titull «Plani i fshehtë për një internacionale të re» (botim i «Hylli i Dritës», 1997) ku e zgjeron teorinë e vet edhe me drejtuesit e SHBA-ve të kohës, duke shkruar për nënpresidentin e SHBA-ve të asaj kohe, Al Gore: «Al Gore-i përfillet si njëri ndër nismëtarët e një konspiracioni tipik socialist (në kuptimin e ngushtë të fjalës) për një ‘rishpërndarje të prodhimit industrial’, një ‘rend të ri botëror’, një ‘kontroll drastik të lindjeve’, një ‘plan Marshall universal’ etj.; në këtë kavall të gjatë amerikan zonjusha Mariza Lino (ambasadore e SHBA-ve në Shqipëri në vitet 1996-1999- K. M.) nuk është veçse ‘vrima e fundit’». (Aurel Plasari: «Plani i fshehtë për një Internacionale të re», «Hylli i Dritës», Tiranë 1997, f. 38)
Pasi ka paraqitur teorinë e vet monstruoze se SHBA-të janë duke kryer genocid ndaj njerëzimit dhe në këtë kuadër edhe ndaj kombit shqiptar, Plasari me një patetikë delirante deklaron: «Lufta e kulturës së jetës kundër kulturës së vdekjes është pra e shpallur. Është normale ta luftojmë këtë luftë me plot pasion, mbasi në lojë është ajo çfarë kemi më intime». (Aurel Plasari: «Përballë një kulture të vdekjes», botim i «Hylli i Dritës, Tiranë 1997, f. 61)
Dhe «kultura e vdekjes», në vizionin e Plasarit, përfaqësohet nga politika zyrtare e SHBA-ve, ndërsa «kultura e jetës» nga popujt e varfër të botës. Pra, një vizion apokaliptik ku SHBA-të janë «Satani», që sjell vdekjen për popujt e botës, duke përfshirë edhe shqiptarët, prandaj SHBA-të duhen luftuar dhe shkatërruar që të shpëtojë njerëzimi. Dhe kjo shkruhej në kohën që SHBA-të i patën shpëtuar shqiptarët e Republikës së Shqipërisë nga coptimi i vendit dhe nga genocidi, të programuar në kancelaritë fqinje.
Kur njeriu shikon obsesionin e Plasarit për të luftuar kundër politikës së kontrollit të lindjeve, nuk mundet mos të mendojë se ky njeri me siguri që do të jetë babai i së paku dhjetë fëmijëve, duke dhënë shembullin personal në këtë luftë. Por, nuk është aspak kështu, Plasari nuk ka qenë ndonjë trim i madh në fushbetejën e vërtetë të luftës kundër asaj që ai e quan kultura e vdekjes (kontrollit të lindshmërisë). Madje, do të kishte qenë në dobi të reputacionit të këtij njeriu, sikur në jetën e vet të kishte qenë ithtar konseguent i politikës së kontrollit të lindshmërisë.
Ironia është se në vitin 1998, vetëm një vit pasi Aurel Plasari pati botuar dy nga katër librat më antiamerikanë të botuar në Shqipërinë paskomuniste, «Përballë një kulture të vdekjes» dhe «Plani i fshehtë për një Internacionale të re» (dy librat e tjerë janë «Realitete shqiptaro-amerikane» i Mero Bazes dhe «Shqiptarët përballë terrorizmit intelektual të Falacit» i Abdi Baletës), ministri i porsaemëruar i kulturës, i ardhur nga Parisi, Edi Rama, e emëroi drejtor të Bibliotekës Kombëtare, post të cilin Plasari e mban ende sot. A nuk të bëhet të besosh se Rama e shpërbleu Plasarin për antiamerikanizmin virulent që tregoi? Në kohën që në Kosovë tashmë pati filluar genocidi serb kundër shqiptarëve, Edi Rama vinte në krye të një institucioni të rëndësishëm të kulturës shqiptare, njeriun që i pati akuzuar SHBA-të për genocid kundër kombit shqiptar. Dhe këtë post Aurel Plasari vazhdon e mban ende.
Ministri i tashëm i Turizmit Kulturës dhe Sporti, Bujar Leskaj, nga i cili varet Aurel Plasari si drejtor i Bibliotekës Kombëtare duhet ta kishte shkarkuar të parin këtë njeri nga kjo detyrë. Le të shohim pastaj nëse opozita do ta mbrojë Plasarin dhe do ta quajë si një atentat ndaj kulturës shqiptare shkarkimin e tij. Atëhere opozita, kryetar i së cilës sot është Edi Rama, njeriu që e emëroi Plasarin në 1998, do të marrë përsipër antiamerikanizmin e Plasarit. Me ç’ kredenciale intelektuale e mban z. ministër këtë Plasarin në postin e Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, me librin «Vija e Teodosit rishfaqet» (1992) ku përvetëson dhe falsifikon hapur një gjetje të studiuesit K- Jireçek mbi «Vijën e Teodosit», të cilët e zhvendon nga Mali i Zi, në Lumin Mat në Shqipëri. Ç’ kredencial tjetër intelektual ka Aurel Plasari për të mbajtur këtë post të rëndësishëm për kulturën shqiptare, faktin që në vitin 2003 ka mbrojtur teorinë që Nëna Tereze është vllahe? Vetëm për këtë tezë, Plasari nuk duhej të qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare duhet të jetë i përkushtuar ndaj kulturës kombëtare. Pastaj mendoni se ç’ përshtypje bën tek të huajt kur mësojnë se Drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Shqipëri është babai i romanit pornografik shqiptar. Gati duket sikur pornografia është konstituentë e kulturës nacionale shqiptare. Z. Plasari mund të thotë ç’ të dojë për Nënën Tereze, por jo nga posti i Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. Nëse Plasari do të shkarkohej nga ky post, ky nuk do të qe poersekutim, por një respekt për kulturën shqiptare. Ç’ kredencial tjetër intelektual ka Plasari për ta mbajtur këtë post, apo mos ndoshta librin pornografik «Dhjetë ditë që nuk tronditën botën»?
Në takimin promovues që u mbajt në 22 qershor 2006, në hotelin «Sheraton» në Tiranë për promovimin e librit të Ismail Kadaresë «Identiteti evropian i shqiptarëve», Aurel Plasari, në diskutimin e vet u shpreh se atij i vjen turp që është shtetas i vendi që ka kryeministër Sali Berishën që e futi Shqipërinë në Konferencën Islamike. Ironia është se Plasari, në librin «Përballë një kulture të vdekjes», të botuar në vitin 1997, shprehet me lavdërime për Kuranin dhe fenë islame. Plasari shkruan: «Ligji kuranik paraqitet si një parim autoriteti në të njëjtën kohë fetar e juridik dhe rregullon të gjitha të sjellat e jetës njerëzore; pra, edhe ato që lidhen me etikën dhe njeriun. Allahu i kundërvihet me forcë të madhe abortit; ndërhyrja brutale për t’ i ndërprerë jetën përftesës së krijuar në bark të nënës konsiderohet nga islami si një ndër krimet më të shëmtuara e të ndëshkueshme më rëndë, si fëmijëvrasje, por njëherësh edhe si ndërhyrje flagrante në atributet e Allahut, i cili me madhëri dhe mëshirë të tij ia ka siguruar jetesën edhe ‘krimbit nën gur’. Në suren An’ am ose ‘Gjedhet’ (ver. 151), allahu nëpërmjet xhebrailit i thotë Muhametit: ‘Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e skamjes!» (Aurel Plasari: «Përballë një kulture të vdekjes», botim i «Hylli i Dritës, Tiranë 1997, f. 48)
Kur njeriu i lexon këto gjëra habitet dhe nuk mundet mos të pyesë veten se a është i njëjti Aurel Plasari, të cilit sot i vjen turp që jeton në një vend që është anëtar i Konferencës Islamike. Plasari i ka shkruar këto gjëra proislamike në vitin 1997 se atëhere qe koha kur në Shqipëri kishte shumë shoqata dhe fondacione nga vendet e Konferencës Islamike, si fondacioni «Al Haramein», që më pas u dëbuan nga Shqipëria sit ë lidhura me fundamentalistët islamikë dhe që jepnin shumë para për intelektualët që thoshin fjalë të mira për Islamin, siç ka bërë edhe Plasari këtu. Në këtë linjë të dyshimtë Plasarin e futi miqësia e çuditshme me Xhahid Xhaferrin (Dibra), nënkryetarin e SHIK në vitet 1992-1997, i cili qe një musliman praktikant (i ati i tij Fuat Dibra pati qenë një pasanik që ndërtonte xhami). Miqësia e çuditshme që filloi midis Aurel Plasarit dhe Xhahid Xhaferrit, pasi ky i fundit u bë një nga krerët e SHIK, në 1992, u përfol shumë atëhere në rrethet e intelektualëve. Xhahid Xhaferri vinte shpesh në fakultetin e filologjisë, ku Plasari qe pedagog, për ta marrë Plasarin me automjetin e vet zyrtar.
Madje, pas të gjitha gjasave, kur Aurel Plasari u emërua pedagog i estetikës në fakultetin e filologjisë, në vitin 1993, kjo gjë u bë me ndërhyrjen e Xhahid Xhaferrit, për arsye të posaçme. Aurel Plasari, kur u emërua pedagog, nuk kishte asnjë premisë profesionale për ta marrë këtë vend pune. Plasari kishte qenë vetëm një përkthyes, që e pati mbaruar fakultetin e filologjisë me korrespondencë në vitin 1988 dhe që nuk kishte asnjë studim në fushën e estetikës. Këtë vend pune e meritonin shumë të tjerë para tij. Plasari, jo vetëm që u bë pedagog, por u bë dhe zëvendësdekan, në një kohë që këtë vend e meritonin të tjerë para tij, që kishin tituj shkencorë. Plasari e mori titullin e doktorit, në vitin 1994, me një «studim» për Lasgush Poradecin, prej diçka më tepër se njëzet faqesh formati A4, të cilin ai nuk ka patur kurajon as ta botojë si libër më vete, pasi nuk do të nderonte as një student si punim diplome.
Është kurioze se në vitin 2002, në kohën kur vepronte një komision parlamentar për hetimin e veprimtarisë së shërbimit sekret, që çoi në shkarkimin e Fatos Klosit, kur u paraqit teza që të hetohet bashkëpunimi i gazetarëve me shërbimin sekret, Aurel Plasari, i cili në vitet 1992-1997 pati qenë kreredaktor i «Hyllit të Dritës» dhe një bashkëpunëtor i rregullt i disa gazetave, u bashkua me një protestë të shumë gazetarëve, që u botua në ditoren «Shekulli», duke e quajtur këtë dhunë ndaj medias, madje kërcënoi se do të jepte dorëheqjen në rast se kjo ndodhte. Sikur institucionet kulturore shqiptare nuk bënin dot pa këtë Aurel Plasarin. Ndoshta frika e Aurel Plasarit lidhej edhe me faktin që gjuha në të cilën ai e lavdëron Kuranin, ngjan si dy pika uji me një raport sekret të hartuar nga SHIK në atë kohë, për sulmet që i bëheshin qeverisë së kohës për anëtarësimin e vendit në Konferencën Islamike dhe se si duheshin kundërshtuar ato nga mediat pranë qeverisë.
Sot, Plasari shprehet me forcë kundër anëtarësit të Shqipërisë në Konferencën Islamike (e habitshme se përse nuk e bëri këtë gjë që në vitin 1991 kur kjo ndodhi), se kërkon që të shlyejë të kaluarën e vet xhahidxhaferriste, proislamike. Kur unë kërkoj shkarkimin e Plasarit nga posti që mban, për shkak të ideve që ka paraqitur, dikush mund të thotë se unë dua të rikthej censurën e regjimit të vjetër. Aspak! Plasari mund të vazhdojë të shkruajë si t’ i pëlqejë, por një njeri si ai, me ato që ka shkruar, nuk duhet të mbajë një post të këtij niveli në institucionet e kulturës shqiptare, madje as t’ u japë mësim studentëve shqiptarë. Me këtë Plasarin duhet të merret jo vetëm Ministri i Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në cilësinë e Plasarit si drejtor, por edhe Ministri i Arsimit, në cilësinë e Plasarit si pedagog i estetikës. Plasari në këtë vend tjetër pune ka 13 vite që paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, duke mos përmbushur as detyrimet minimale që i vijnë nga kjo përgjegjësi. Plasari nuk ka bërë një tekst të estetikës për studentët, pasi ai merret me çdo gjë veç estetikës. Si estet ai përmbush veç një cilësi, atë që Hajnrih Bël u atribuon estetëve në novelën «Me syrin e një kllouni». Titulli i pedagogut, atij i duhet për të pasuruar CV e vet dhe për të bërë mbresa tek të huajt si njeri nga bota akademike.
Lëndën e estetikës në fakultet Plasari e ka bërë me të drejtë zgjedhjeje, në mënyrë që të shpëtojë nga angaria e leksioneve dhe seminareve dhe në mënyrë që t’ i shkojnë sa më pak studentë. Është e paimagjinueshme që estetika të jetë lëndë me zgjedhje në degën e gjuhë-letërsisë. Kjo është njëlloj sikur e drejta penale e përgjithshme të jetë lëndë me zgjedhje në fakultetin juridik. Ç’ përgatitje ka në letërsi një student që nuk njeh estetikën? Provimet e estetikës me «profesor» Plasarin për studentët janë baras me një vajtje në kafene. Kërkesa kryesore në provim është blerja dhe shpërndarja andej nga vijnë e librave të Plasarit. Në fakt, Plasari, në përgjithësi, merret me çdo gjë, veç punëve për të cilat e paguan shteti shqiptar me paratë e taksapaguesve, si drejtor dhe pedagog. Tashmë shtetit shqiptar i takon që edhe formalisht ta lehtësojë nga postet të cilat Plasari i ka abandonuar sa u përket përgjegjësive dhe i mban vetëm sa u përket beneficeve.
Në rast se Plasari do të vazhdojë të rrijë në postin e vet, si drejtor i Bibliotekës kombëtare, atëhere intelektualët e përgjegjshëm shqiptarë duhet që, në shenjë proteste, të ngjisin në muret e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe të Bibliotekës Kombëtare kopje të kapakëve dhe faqeve, të zmadhuara, sa çarçafët, ku zhvillohen skenat seksuale perverse dhe plot pedofili të librit «Dhjetë ditë që nuk tronditën botën», të artikujve dhe librave të Plasarit të mbushura me antiamerikanizëm paranoiak.





