Nga Kastriot Myftaraj
Kur Genc Pollo hyri në politikë me instalimin e pluralizmit politik në Shqipëri, në dhjetor 1990, ai i kishte të gjitha kredencialet për të hyrë natyrshëm në lidershipin e ri të partisë së majtë të reformuar që do të dilte nga PPSH, çka pas gjashtë muajsh do të ishte PS. Genc Pollo i përkiste një familjeje të nomenklaturës komuniste të kohës- babai i tij Stefanaq Pollo ishte drejtor i Institutit të Historisë, një post shumë i rëndësishëm ky në hierarkinë akademike të regjimit komunist, që kishte obsesionin e manipulimit të historisë, aq saktë të përshkruar nga George Orëell tek “1984“. Kështu, Genc Pollos i shkonte shprehja “born ëith a silver spoon in his mouth“ (i lindur me lugë argjendi në gojë) që përdorej dikur për pinjojtë e familjeve aristokratike.
Genc Pollos në jetë nuk i mbetej veç të shijonte të mirat që do t’ i jepnin me “lugën e argjendtë“. I ati i tij, patriarku i historiografisë komuniste, Stefanaq Pollo, po i përgatiste një karrierë nën hijen e vet. Genc Pollo u diplomua në Universitetin e Tiranës në vitin 1986 për histori, me një specializim në arkeologji. Me të marrë diplomën u emërua në sektorin e kërkimit shkencor në Akademionë e Shkencave, në një kohë që bashkëstudentët e vet merrnin emërimin si mësues historie. Pasi u end për dy vjet korridoreve të Akademisë së Shkencave pa u shquar për ndonjë gjë, në vitin 1988 ai fitoi të drejtën për të bërë një specializim dyvjeçar në Universitetin e Vienës, në Austri.Izolimi në atë kohë ishte për shqiptarët e thjeshtë, të cilët duhet të mbaheshin larg influencës së dëmshme të botës kapitaliste, ndërsa njerëzit e nomenklaturës ishin të privilegjuar në këtë pikë. Kur u kthye në Shqipëri, në vitin 1990, Pollo u emërua në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, ku drejtor ishte Neritan Ceka.
Pra, Pollo, për nga origjina familjare dhe privilegjet që kishte pasur, i përkiste establishmentit komunist që ishte i lidhur me PPSH-në dhe që me ndryshimet politike që po ndodhnin në Shqipërinë e vitit 1990, duhej të qe pjesë e atij grupimi intelektualësh të rinj që do të reformonin PPSH-në duke e shndrruar në një parti të majtë të llojit të socialdemokracisë perëndimore. Në këtë rol do të qe i natyrshëm dhe legjitim angazhimi politik i Genc Pollos me instalimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Përndryshe ishte krejt e panatyrshme dhe kompromentuese për të parën parti opozitare që u krijua në Shqipëri në dhjetor 1990, pra për PD-në, që Genc Pollo dhe të tjerë si ai hynë në lidershipin e kësaj partie me krijimin e saj. Me këta nuk dua të them se komunistët dhe bijtë e familjeve komuniste nuk duhej të hynin në lidershipin e partive opozitare me PPSH. Madje ardhja e tyre ishte e domosdoshme që të çahej blloku monolit që kërkonte të krijonte PPSH me 200 mijë anëtarët dhe kandidatët e partisë dhe njerëzit e familjeve të tyre.
Por, këtu duheshin përjashtuar, në mënyrë të natyrshme, njerëzit që u përkisnin 2-3 mijë familjeve të lidhura ngushtë me PPSH-në dhe që përbënin nomenklaturën. Ardhja e njerëzve nga këto familje në lidershipin e PD-së nuk kishte sens as edhe nga pikëpamja elektorale se këta njerëz nuk mund ta bënin shtresën së cilës i përkisnin që votonte për PD-në dhe koha e tregoi se nuk arritën që ta bëjnë dot këtë gjë. Miranda Vickers, reportere për Shqipërinë e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, në librin e saj “Shqipëria-nga anarkia te një identitet ballkanik” e përshkruan kështu Genc Pollon: “Genc Pollo, i biri i njërit nga nomenklatura e vjetër, që më vonë u bë zëdhënësi kryesor i Berishës”. (Miranda Vickers: “Shqipëria- nga anarkia te një identitet ballkanik”, “Toena”, Tiranë 1998, f. 58) Hyrja në lidershipin e PD-së, që me krijimin e kësaj partie, e njerëzve si Genc Pollo mund të shpjegohet vetëm me skemën e regjimit komunist për të kontrolluar partitë opozitare me anë të njerëzve të nomenklaturës.
Kur në 13 dhjetor 1990 u krijua komisioni nismëtar prej 16 vetësh i PD-së, që funksiononte edhe si forum drejtues i partisë, Genc Pollo nuk u përfshi atje me ndërhyrjen e Gramoz Pashkos, i cili, duke qenë vetë pinjoll i një familjeje të nomenklaturës, kishte frikë se mos binte në sy për keq që në lidershipin e partisë së re kishte shumë njerëz të nomenklaturës. Por, Genc Pollo, edhe pse mbeti jashtë komisionit nismëtar të PD-së u emërua zëdhënës i partisë së re, së bashku me Preç Zogajn që ishte anëtar i komisionit nismëtar. Pra ishte e qartë se një dorë e fshehtë, donte që ta mbante Genc Pollon, në një mënyrë ose në një tjetër, në lidershipin e partisë së re.
Se kush ishte kjo dorë, kjo u kuptua pas disa ditësh në janar 1991, kur gjatë vizitës së kryeministrit grek Micotakis në Tiranë, Genc Pollo u përfshi në përfaqësinë e PD-së që u takua me kryeministrin grek. Në këtë takim kryeministri grek dha të kuptojë simpatinë e tij, në rradhë të parë për Gramoz Pashkon dhe pastaj për Genc Pollon, u përpoq të joshte Azem Hajdarit që ia prezantuan si lider të lëvizjes studentore dhe kryetar të përkohshëm të partisë dhe e injoroi krejtësisht Sali Berishën, “ylli” i të cilit ishte duke u ngjitur në “qiellin” e politikës shqiptare ngase kishte qartas mbështetjen e amerikanëve për të dalë në krye të partisë, çka e kuptonte kushdo edhe nga publiciteti që i bënte “Zëri i Amerikës”.
Sjellja e kryeministrit Micotakis në rastin e Genc Pollos e kishte shpjegimin së pari me atë se Genc Pollo qe kristian ortodoks nga një familje tradicionalisht shumë filogreke. Në gazetën “Tema”, të Mero Bazes, në 4 qershor 2000 (f. 12-13) është botuar një dossier me titull “Gjyshi i Genc Pollos kapiten grek” ku botohen dokumente të nxjerra nga arkivi i shtetit që tregojnë se gjyshi i Genc Pollos, Themistokli Pollo (i njohur si Take Pollo) ka qenë oficer i ushtrisë vorio-epirote në vitet 1914-1917, me gradën kapiten. Në këtë dossier thuhet:
"Take Pollo ėshtė njėri prej tri komandatėve të andartëve grekë që masakruan shqiptarët në Jug të Shqipërisë…Dëshmi mbi këtë veprimtari dhe përplasjen e kapiten Pollos me çetat patriotike të Butkës janë ende të freskëta edhe në zonat e Jugut. Shtëpia e Pollos u dogj në fshatin e tij të lindjes në Përmet, pikërisht nga çeta e Butkës në shenjë hakmarrjeje ndaj udhëheqësit të çetës andarte greke. Biografia e zezë e Take Pollos filloi të përbënte një problem më vete për të birin e tij Stefanaq Pollo pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri. Take Pollo andarti që ka rrafshuar 27 fshatra dhe që akuzohet për vrasjen e së paku 440 shqiptarëve në zonën e Lunxhërisë, Hormovës, Leskovik dhe Çarshovë…Tentativa për mbulimin e veprimtarisë së Take Pollos janë bërë edhe nga nipi i tij Genc Pollo. Duke shfrytëzuar emrin e gazetës “55” si gazetë nacionaliste dhe sidomos duke përdorur miqësinë me drejtorin e gazetës, arriti të botojë në atë gazetë një shkrim të montuar keq për veprimtarinë e Take Pollos”. (“Tema”, 4 qershor 2000, f. 12-13)
Sigurisht që nipi i Themistokli Pollos qe njeriu i parapëlqyer i Athinës për të qenë në lidershipin e PD-së. Në takimin me kryeministrin grek, gjatë prezantimit, në momentin që ambasadori grek në Shqipëri i tha emrin e Genc Pollon Micotakisit, Pollo ndërhyu dhe duke buzëqeshur tha se emri i tij i pagëzimit qe Jorgo (madje ai tha “Jorgos”), por për shkak të frymës së regjimit komunist, babai i tij kishte qenë i detyruar t’ i vinte emrin “Genc”. Dhe Jorgos (Genc Pollo), para njerëzve të tjerë të habitur të PD-së, vazhdoi të tregonte historinë se si, në vitin 1963, pak kohë pasi kishte lindur, gjyshja e kishte cuar në kishë gjoja fshehur prindërve, siç bëhej në atë kohë, për t’ u pagëzuar sipas ritit të krishterë ortodoks nga gjyshi i Gramoz Pashkos, kryepeshkopi ortodoks i Tiranës dhe Durrësit, Paisi.
Micotakis përfitoi nga rast dhe tha se tash që ortodoksët kanë mundësi ta ushtrojnë lirisht fenë e vet, në mënyrë që kjo të realizohet duhet që në Shqipëri të vijnë klerikë grekë, gjë të cilën e mbështetën pa hezitim Pashko dhe Pollo, ndërsa të tjerët nuk dinin se çfarë të thoshin, pasi u zunë të papërgatitur për këtë çështje. Por, impakti kryesor në PD i vizitës së kryeministrit grek në Tiranë qe se Athina zyrtare po nxiste krahun ortodoks në PD që të merrte kontrollin e partisë. Atëhere PD ishte në prag të konferencës konstituive që do të mbahej në shkurt, ku do të zgjidhej kryetari. Që pas takimit të lidershipit të PD-së me kryeministrin grek Micotakis në PD filloi një luftë e ashpër për të marrë kontrollin e partisë, mes dy klaneve, njërit të grumbulluar rreth Sali Berishës dhe tjetrit rreth Gramoz Pashkos-në këtë të fundit bënte pjesë dhe Genc Pollo. Në dinamikë të këtij konflikti qe ambicja e Gramoz Pashkos, e nxitur nga Athina, për t’ u bërë kryetar i PD-së. Që nga takimi me kryeministrin Micotakis, Genc Pollo, në pozitën e tij si zëdhënës i PD-së u bë praktikisht zëdhënës personal i kandidatit për kryetar Gramoz Pashkos, duke bërë në të njëjtën kohë replica të tërthorta me deklaratat e kandidatit tjetër për kryetar, Sali Berisha.
Duke nxitur krahun ortodoks në PD të merrte nën kontroll partinë kryeministri grek Micotakis ishte duke prishur një kompromis SHBA-Greqi për politikën shqiptare të erës pluraliste sipas të cilit amerikanët do të dominonin PD-në dhe grekët të dominonin partinë e majtë që po lindte nga reformimi i PPSH. SHBA-të preferonin të mbështeteshin tek njerëzit me origjinë muslimane për të krijuar lidershipin e PD-së, kjo për shkak se muslimanët qenë shumësia e vendit dhe shumësia absolute e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe troje të tjerë në Jugosllavi, ku SHBA-të kishin interesa të posaçme, qenë muslimanë. Në anën tjetër, Greqia, synonte që të mbështetej tek kristianët ortodoksë për lidershipin e PPSH (PS), për shkak se donte ta përdorte fenë e përbashkët ortodokse me atë të një pjese të madhe të shqiptarëve, si premisë për influencë politike dhe madje për asimilim etnik.
Në konferencën konstituive të PD-së, në shkurt 1991, klani i Gramoz Pashkos, ku bënte pjesë edhe Genc Pollo, tentoi që ta merrte nën kontroll partinë, duke zgjedhur Gramoz Pashkon kryetar, me anë të një manovre të sofistikuar, sipas së cilës në votimin e parë për kryetar nuk do të fitonte askush dhe në votimin e dytë do të fitonte Gramoz Pashko. Skema funksionoi përgjysëm, pasi në votimin e parë Berisha mori vetëm 9 nga 10 vota që i duheshin në komisionin drejtues prej 19 anëtarësh. Porn ë vazhdim ky klan e pa se nuk mund ta merrte nën kontroll partinë, kryesisht për shkak të kundërshtimit amerikan, ndaj u mjaftua duke mos lejuar që Berisha të zgjidhej kryetar me një shumësi votash të dalë nga votimi në kryesi, sipas statutit, por me një konsensus të grupeve rivale, çka e bënte pozitën e tij të cënueshme.
Pas konferencës konstituive të shkurtit 1991 Pollo mbeti përsëri në një pozitë evazive, me një këmbë Brenda lidershipit dhe me një këmbë jashtë, duke qenë se nuk u zgjodh në komisionin drejtues që ishte një lloj kryesie e partisë, por ruajti postin e zëdhënësit të partisë. Në zgjedhjet e para pluraliste, të 31 marsit 1991, Pollo ishte një nga tre kandidatët e PD-së për deputetë që humbën në qytetin e Tiranës, nga 19 vetë që PD kandidoi në qytetin e Tiranës. Kjo humbje, që duhet t’ i atribuohet mosbesimit të elektoratit të PD-së për të, si pinjoll i nomenklaturës, e dobësoi pozitën e Genc Pollos në PD.
Në prag të Kuvendit I të PD-së, që u mbajt në shtator 1991, klani kundër Berishës në lidershipin e PD-së u riaktivizua duke planifikuar që të mbështeste kandidaturën e Neritan Cekës, për postin e kryetarit të partisë, në vend të Berishës. Neritan Ceka si drejtor i Institutit të Arkeologjisë vazhdonte që të ishte shefi i Genc Pollos, që vazhdonte të ishte punonjës i këtij Instituti. Kjo ishte një arsye shtesë për të cilën Pollo ishte praktikisht pjesë e stafit të Cekës, që punonte për zgjedhjen e këtij të fundit në postin e kryetarit të partisë. Kjo gjë sigurisht që e rriste distancën mes Pollos dhe Berishës. Me disfatën e Cekës në Kuvend, ku u konfirmua Berisha në postin e kryetarit të PD-së, u frenua dhe ngjitja e Pollos në hierarkinë e PD-së. Pollo u zgjodh anëtar i Këshillit Drejtues (homolog i Këshillit Kombëtar të tashëm) të PD-së, por jo anëtar i kryesisë të partisë. E megjithatë, Pollo vazhdoi të mbante postin e zëdhënësit të partisë.
Duke mos qenë mes favoritëve të Berishës, Pollo nuk u fut në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së, në zgjedhjet e 22 marsit 1992. Pas moszgjedhjes në kryesi, kjo e mbushi kupën e zemërimit të Pollos për Berishën, çka bëri që të rebelohet në shkurt 1992, duke e akuzuar praktikisht Berishën për “Oksidentofobi”. Rasti që zgjodhi Genc Pollo për ta bërë këtë ishte sinjifikues pasi dëshmonte se ai kërkonte të fitonte kredit grek për ta përdorur në politikën shqiptare. Në shkurt 1991, në kulmin e debatit për ligjin e ri elektoral që ia ndalonte organizatës politiko-kulturore të minoritetit grek, “Omonia“-s, që të ishte një subjekt elektoral, edhe pse kjo gjë u bë me votat e përbashkëta të PS-së që kishte mazhorancën parlamentare dhe të PD-së, Genc Pollo e ndjeu të nevojshme të bënte një distancim në favor të Greqisë. Në një intervistë që i dha gazetës “Hapësirë” të Forumit Rinor të PD-së, në numrin e shkurtit, Pollo, pasi e quajti ndalimin elektoral që iu bë “Omonia”-s si “oksidentofobi” u shpreh se: “s’ e kishte parë ndonjëherë që valët e oksidentofobisë që e kanë qendrën diku nga mesi i rreshtave të majtë të Kuvendit të përfshijnë edhe rreshtat e djathtë”.
Është e qartë se kjo ishte një akuzë për kryetarin e PD-së Berisha, që në këtë rast kishte përgjegjësinë për dominimin e krahut “oksidentofob” në PD, përballë krahut oksidentofil, si kuintesencë e të cilit na dilnin përfaqësuesit politikë të minoritetit grek në Shqipëri, ndërsa si zëdhënës i të cilit në këtë rast dilte Genc Pollo. Pra, paradigma Oksidentofil-oksidentofob që artikuloi Pollo, ishte ajo që kërkonte të induktonte Greqia në mendimin politik shqiptar dhe në kancelaritë perëndimore: Në Shqipëri Oksidentalizmi përfaqësohet nga progrekët, ndërsa oksidentofobia nga antigrekët.
Duke qenë se në këtë aferë, si protagonist në debatin në parlament doli deputeti Abdi Baleta, i njohur për proislamizëm, kjo u konvenonte grekëve dhe njerëzve të tyre në Shqipëri për t’ i dhënë paradigmës edhe ngjyrimin fetar aq të pëlqyer për ta, pra që minoriteti grek i fesë ortodokse në Shqipëri, që kërkonte të ushtronte të drejtat e veta, sipas modelit perëndimor, po persekutohej nga shqiptarët muslimanë oksidentofobë. Kështu, konflikti mes oksidentofobëve dhe oksidentofilëve në Shqipëri dilte si konflikt mes minoritarëve grekë dhe të krishterëve ortodoksë nga njëra anë dhe muslimanëve, në anën tjetër. Kështu ka tentuar ta paraqesë Greqia konfliktin politik në Shqipëri që nga ajo kohë dhe deri më sot dhe Pollo u bë zëdhënësi i parë në politikën shqiptare i kësaj paradigme politiko-kulturore, një veprim i denjë ky për të nipin e kapitenit të andartëve grekë.
Pra, në këtë aferë, Pollo u bë drejtpërdrejt zëdhënës i Greqisë në politikën shqiptare dhe deklarata e tij, duke qenë se ishte dhe zëdhënës i PD-së, sigurisht që u përdor nga grekët në kancelaritë ndërkombëtare. Në të vërtetë, e gjithë kjo çështje u montua nga Greqia, si një manovër me të cilën me një gur vrau dy zogj. Nga njëra anë ia arriti që ta ndërkombëtarizonte çështjen e minoritetit grek në Shqipëri, si një çështje të dhunimit të të drejtave të njeriut, edhe në rrafsh politik, ndërsa në anën tjetër siguroi me krijimin e PBDNJ të drejtën e kandidimit në zgjedhje në të gjithë vendin, ndërsa “Omonia” e kishte të kufizuar vetëm në Dropull dhe Vurg.
Shkëlqimi dhe rënia e Genc Pollos në lidershipin demokrat
Me të gjitha këto Genc Pollo tashmë zinte vend në “listën e zezë” të Berishës dhe nuk duhej pritur që ai të ishte ndër njerëzit me të cilët Berisha do të tregohej bujar në ndarjen e tortës së pushtetit, pasi PD fitoi zgjedhjet parlamentare të marsit 1992. Por Berisha, në kohën që u zgjodh President i Republikës, në prill 1992, e ndjente se shpejt klani kundërshtar në PD do ta formalizonte ndarjen nga partia. Berisha e kuptonte se këtë shizmë politikë do të kërkonin ta interpretonin edhe si një konflikt mes tij si një lider musliman dhe krahut të krishterë ortodoks të partisë, pasi tek rebelët bënin pjesë Gramoz Pashko, rivali i tij kryesor që me krijimin e PD-së dhe njerëz të tjerë me profil të lartë në parti, që ishin të fesë ortodokse. Imazhi i kryeministrit të krishterë ortodoks të PD-së, Aleksandër Meksi, nuk mjaftonte për të kundërbalancuar këtë lëvizje.
Prandaj Berisha kërkoi të tërhiqte nga krahu tjetër Genc Pollon, duke i ofruar postin e këshilltarit politik të Presidentit. Sigurisht që Berisha nuk i besonte Pollos si njeri dhe as aftësive të tij politike dhe intelektuale, kur ishte fjala për një post të tillë. Berisha as që kishte ndërmend që t’ i jepte Pollos akces në procesin e vendimmarrjes së tij politike si President, duke u këshilluar seriozisht me të, edhe pse me gjasë kishte ndërmend që t’ i jepte iluzionin se Pollo kishte impakt në vendimmarrjen presidenciale, duke bërë me të biseda, që dukej se kishin si të vetmin qëllim që të kënaqnin egon e Pollos. Ata që filluan ta quajnë Pollon, pasi u bë këshilltar politik i Presidentit Berisha si “Sofokli Lazri“ i Berishës, duke bërë analogji me rolin që Sofokli Lazri kishte tek Ramiz Alia, e kanë gabim. Së pari se Pollo nuk e kishte kapacitetin e Sofokli Lazrti dhe së dyti se Berishës nuk i ka pëlqyer kurrë që politikanë të rinj ambiciozë të bëjnë rolin e interlokutorit mes tij dhe kancelarive të huaja dhe kjo për arsye që kuptohen.
Por, Berisha duket se shkonte me mendjen që ta përdorte Pollon si një figurë dekorative për të ulur disi pakënaqësitë e Greqisë dhe të ortodoksëve në PD për ndarjen që po ndodhte në parti me largimin e pritshëm të krahut të Pashkos. Sigurisht që Greqisë dhe klanit kundërshtar të Berishës në PD u ka pëlqyer që ta kenë një njeriun e tyre pranë Presidentit Berisha dhe për këtë e kanë nxitur Pollon që ta pranojë ofertën e Berishës. Gjatë mandatit të parë të PD-së në pushtet, në vitet 1992-1996, Pollo parapëlqeu mos të kishte një profil të lartë publik, duke qendruar i tërhequr në hije, në Presidencë.
Edhe pse gjatë kohës që Pollo ishte në postin e këshilltarit politik të Presidentit pati shumë kriza, në të cilat qe drejtpërdrejt i involvuar Presidenti Berisha si njeriu më i pushtetshëm në vend, duke filluar që nga kriza në marrëdhëniet shqiptaro-greke, e krijuar me dëbimin e një prifti grek në 1993 dhe me arrestimin e pesë aktivistëve të Omonia-s një vit më pas, çështja e projekt-kushtetutës etj., Pollo asnjëherë nuk doli në media për të marrë pjesë në debatin mbi këto, në mbështetje të Presidentit Berisha. Pollo qëndroi larg edhe debatit në PD, ku Presidenti Berisha mori vetë përsipër të bënte rotagonistin në konfliktin me mocionistët në verën e vitit 1992 dhe me Eduard Selamin në fillim të vitit 1995. Pozicioni i tërhequr i këshilltarit politik të Berishës bënte kontrast të madh me pozicionin shumë aktiv të Presidentit Berisha, si në shtet ashtu dhe në parti, ku Berisha vazhdonte të qe pjesë e lidershipit edhe formalisht, duke qenë anëtar i kryesisë së PD-së. Praktikisht Pollo ishte duke e kryer detyrën e vet si këshilltar pranë një Presidenti honorifik dhe jo pranë një Presidenti të fuqishëm dhe kjo mund të interpretohej edhe si një distancim i heshtur nga modeli i Presidencës shumë të angazhuar politik që ndiqte shefi i tij, Berisha.
Në rast se do të ishte vërtet kështu, atëhere ky do të ishte një virtut politik i Pollos. Por, Pollo tregoi se ishte shumë i prekshëm nga vesi kryesor politik i Berishës, zgjerimi i sferës së pushtetit presidencial, kur kjo gjë ishte në interesin e vetë Pollos. Pollo tregoi se dinte ta përdorte postin e vet në Presidencë për të hyrë në ato organizma prania në të cilat mendonte se i shërbente karrierës së vet të ardhme si politikan, duke i siguruar kontakte dhe duke i pasuruar CV. Në vitin 1993 ai u bë anëtar themelues i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut, si dhe u zgjodh nënkryetar i kësaj shoqate, ku kryetar ishte Alfred Moisiu. Në këtë cilësi Genc Pollo ka përfituar shumë herë nga bujaria e bosit të firmës piramidale mashtruese VEFA, Vehbi Alimuça, i cili qe pranuar në kryesinë e Shoqatës Shqiptare të Atlantikut vetëm që të paguante faturat e hoteleve dhe restoranteve luksoze të krerëve të shoqatës gjatë udhëtimeve të tyre jashtë vendit.
Në zgjedhjet e 26 majit 1996 Pollo doli nga hija e Presidencës, duke u bërë kandidat për deputet i PD-së në vendin e tij të origjinës, në Përmet. Pse Pollo hyri në këtë aventurë politike kur që para zgjedhjeve ishte bërë e qartë se Presidenti Berisha dhe PD-ja, që tashmë gjendeshin në konflikt me SHBA-të, po shkonin drejt një fitoreje të dyshimtë dhe të kontestuar ndërkombëtarisht? Për këtë Pollon e shtynte interesi për t’ u bërë deputet, për herë të parë në karrierën e tij politike. Pollo kishte që nga viti 1991 që po sillej rreth parlamentit si “zog skifteri”, siç thotë ajo kënga e Shqipërisë së Mesme. Në 1991 ai nuk arriti të fitonte në Tiranë, në 1992 u mënjanua nga lista e kandidatëve prej Berishës, ndërsa në 1996 ai po kandidonte me mbështetjen e Berishës, çka dëshmon për amoralitetin e tij politik.
Në 26 maj Pollo fitoi në Përmet dhe u bë për herë të parë deputet. Në rast se zgjedhjet e 26 majit 1996 qenë të manipuluara, sigurisht që ato nuk u manipuluan gjithandej, por vetëm në vendet ku PD nuk mund të fitonte. Në këtë sens, një nga vendet ku u manipuluan më së shumti ato qe Përmeti. Për këtë mjaft të thuhet se në tre palë zgjedhjet parlamentare që janë zhvilluar në Shqipëri pas vitit 1996, duke ëprfshirë dhe ato të fundit të vitit 2005, në Përmet ka fituar PS-ja. Vështirë të besohet se Përmeti që tre zgjedhje rresht ka votuar për PS-në, në 1996 të ketë votuar për PD-në, edhe pse kandidat atëhere qe Genc Pollo. Në rast se do të kishte qënë kështu atëhere Genc Pollo në zgjedhjet e vitit 2005 duhet të kishte kandiduar dhe fituar në Përmet. Por, ai në 2005, parapëlqeu që mos të kandidonte dhe të bëhej deputet nga sistemi proporcional.
Në Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e vitit 1996 Genc Pollo u zgjodh anëtar i komisionit parlamentar të punëve të jashtme dhe kryetar i nënkomisionit parlamentar të integrimit europian. Natyrisht që të gjitha këto ishin angazhime fiktive në një kohë që pushteti i PD-së po shkonte me shpejtësi drejt izolimit ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë Pollo mbajti dhe pozicionin e vet në Presidencë si këshilltar politik i Berishës. Pollo erdhi duke u bërë gjithherë e më aktiv në mbështetje të Berishës, veçanërisht në rrafsh ndërkombëtar, duke mbrojtur legjitimitetin e zgjedhjeve të 26 majit në delegacionet shqiptare që shkuan në Këshillin e Europës, Parlamentin Europian, forumet e OSBE etj. Mbetet ende një mister se çfarë e bëri Pollon në këtë periudhë që të dalë jashtë natyrës së vet të njeriut diskret dhe që e braktis gjithherë kauzën që duket e humbur, për mos t’ u kompromentuar. Një hipotezë mund të jetë ajo që niset nga premisa se Pollo ka pasur afera me firmat piramidale që atëhere qenë në lulëzim të plotë, gjë për të cilën e ka akuzuar shtypi pranë Berishës pasi Pollo u prish me këtë të fundit, çka e detyronte Pollon që të qendronte fort në krah të Berishës, edhe kur dukej qartë se pushteti i tij po pësonte fatin e “Titanik”.
Fakti është se Pollo, në gjysmën e dytë të vitit 1996 dhe në gjysmën e parë të vitit 1997, erdhi duke e rritur angazhimin politik në mbështetje të Berishës pari passu me shkallëzimin e konfliktit në Shqipëri. Në shkurt të vitit 1997, Pollo u zgjodh sekretar i marrëdhënieve me jashtë në PD, në një kohë që ende nuk qe anëtar i kryesisë së PD. Në mars 1997 Pollo u zgjodh kryetar i komisionit parlamentar të punëve të jashtme dhe në prill 1997 u zgjodh sekretar i përgjithshëm i PD-së, duke u bërë kështu numri 2 në hierarkinë zyrtare partiake.
Në ditët më të vështira për Berishën në vitin 1997, në 12-20 mars 1997, kur në të gjithë Shqipërinë u shpërthyen depot e armëve dhe Berisha ishte i ngujuar në selinë presidenciale, që u sulmua disa herë me armë dhe kur Berisha u kërcënua me ultimatume të përsëritura për t’ u larguar, Pollo ishte nga paktët që i qendruan pranë thuajse gjatë gjithë kohës. Por, në ato ditë shumë të tensionuar të marsit 1997 kishte njerëz “cinikë” që thoshin se sa kohë që Berisha ka Pollon pranë është e sigurt se nuk do t’ i ndodhë gjë dhe se mbetet ende në lojë për ndërkombëtarët dhe se shenja e sigurt se Berisha ka marrë fund dhe do të largohet nga Shqipëria është kur të braktiset edhe nga Pollo.
Në maj të vitit 1997, kur Genc Pollos i vdiq i ati, Stefanaq Pollo, u krijua një nga ato situata që krijohen në Shqipëri nga “qarku i shkurtër” mes konfliktit politik dhe traditës shqiptare, kur rrethi i të ndjerit që shkoi për ngushëllim dhe që përbëhej nga njerëz të ish-nomenklaturës dhe aktualisht të majtë, u përplasën në një sallë me njerëzit e së djathtës, me të cilët ishte i lidhur tash Genc Pollo. E gjithë kjo tregonte se sa absurd ishte angazhimi politik aktual i Genc Pollos, gjë për të cilën nuk mungonin të bënin aluzione kësolltarët e majtë.
Në zgjedhjet e 29 qershorit 1997 Genc Pollo kandidoi për PD-në në qytetin e Korçës ku humbi, por megjithatë u bë deputet nga sistemi proporcional, nëpërmjet listës shumëemërore të PD-së. Në Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e vitit 1997 Pollo u zgjodh kryetar i grupit parlamentar të PD-së. Karriera politike e Pollos në PD erdhi duke përparuar. Në Kuvendin IV të PD-së që u mbajt në tetor 1997, ku Berisha u zgjodh kryetar i PD, Genc Pollo u zgjodh nënkryetar i partisë. Duke zgjedhur Pollon, kristian ortodoks, si zëvendësin e vet, Berisha sigurisht që kërkonte të bënte një veprim simbolik për të treguar hapjen e partisë drejt kristianëve ortodoksë, të cilët deri më atëherë nuk kishin qe në të pranishëm në lidershipin e partisë, që nga koha e krijimit të saj, po të përjashtojmë këtu konsiderimin joformal të Gramoz Pashkos si nënkryetar i PD-së, në fillimet e kësaj partie.
Duhej pritur që Pollo duke qenë një njeri inaktiv dhe pa oratori të pajtohej me këtë rol që po i jepte Berisha, duke u mjaftuar me beneficet që i vinin nga posti i tij dhe duke pritur, në një pozitë komode, ardhjen e PD-së në pushtet për të marrë më tepër. Por, Pollon filluan ta pompojnë disa qarqe ndërkombëtare për ta bindur që t’ i hynte sfidës për t’ i marrë Berishës postin e kryetarit të PD-së. Ishin ato qarqe ndërkombëtare që në atë kohë përpunuan tezën se për t’ u eliminuar konflikti politik në Shqipëri duhej të largoheshin nga politika Nano dhe Berisha, duke u zëvendësuar me Majkon dhe Pollon. Sponsorë të kësaj teze ishin kancelaritë europiane që donin t’ i privonin SHBA-të nga përdorimi i kartës “Berisha”, si një politikan i fortë që ato mund ta përdornin në një kohë tjetër në lidhje me Kosovën, si dhe lobi greko-amerikan, që në sintoni me Athinën donte të riaktivizonte planin “Micotakis” të janarit 1991 për të vënë të krishterë ortodoksë në krye të dy partive të mëdha në Shqipëri. Teza e eliminimit të konfliktit politik shqiptar nëpërmjet largimit të Nanos dhe Berishës, që u lançua së pari në një raport të Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Shqipërinë, në 1998, nuk u pranua në SHBA-të nga Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni. Megjithatë u tentua që të zbatohet ky projekt nga ana e europianëve dhe posaçërisht të Greqisë.
Me vrasjen në shtator të vitit 1998 të Azem Hajdarit, nënkryetarit me profil të lartë të PD-së, në lidershipin e PD-së u krijua një vacuum që dukej se krijonte kushtet që me largimin e Berishës nga posti i kryetarit të partisë, vendin e këtij ta zinte Pollo. Në vjeshtën e vitit 1998, kur Nano tashmë kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe ishte larguar nga Shqipëria dhe kur pritej nga dita në ditë arrestimi i Berishës për ngjarjet e 14 shtatorit, dukej se projekti i zëvendësimit të Nanos dhe Berishës ishte në prag të realizimit.
Vijon
Prapaskenat e konflikti Pollo-Berisha në 1999-2004
Konflikti Pollo-Berisha në fakt u shfaq për herë të parë publikisht në festën e dhënë për 8-vjetorin e krijimit të PD-së, në dhjetor 1998. Gjithçka ishte një déjà vu e incidentit të shkurtit 1992, kur Pollo e pati akuzuar praktikisht Berishën për oksidentofobi, duke përdorur si argument Baletën. Edhe në dhjetor të vitit 1998, njerëz që njiheshin si mbështetës të Pollos kërkuan në sallë largimin e Abdi Baletës, që ishte i ftuar në këtë festë, duke arritur deri atje sa ta akuzojnë si agjent të Iranit. Kuptohet se këtu goditja binte mbi vetë Berishën që e pati ftuar Baletën, i cili ishte larguar prej vitesh nga PD-ja. Në këtë incident Berisha nuk mund të shikonte tjetër veç pikënisjen e sfidës që po i bënte Genc Pollo, me të njëjtat mjete si në 1992, këtë herë në një moment shumë të vështirë për Berishën, pasi pritej arrestimi i tij nga ora në orë. Por Pollo nuk mundi të ngjitej në fronin e kreut të PD-së në dhjetor 1998 pasi Berisha shpëtoi përsëri me nderhyrjen e amerikanëve që organizuan takimin e Berishës me kryeministrin socialist të kohës, Majko dhe tensioni politik u ul.
Konflikti Pollo-Berisha doli hapur në vitin 1999, me rastin e Kuvendit V të PD-së, që do të mbahej në shtator 1999. Genc Pollo, i cili deri atëhere pati qenë në dukje bashkëpunëtori më i afërt i Berishës, shpalli se do të kandidonte për postin e kryetarit të PD-së, përballë Berishës, në kuvendin e shtatorit 1999. Duke qenë se tashmë Majko pati shpallur synimin e tij për të zënë postin e kryetarit të PS-së, në kongresin e kësaj partie që do të mbahej në tetor të po atij viti, dukej sikur ishte duke u zbatuar plani për largimin e Nanos dhe Berishës nga politika dhe zëvendësimin e tyre me Majkon dhe Pollon.
Pollo ishte duke përsëritur sfidën e Pashkos të vitit 1991, duke u bërë i pari kristian ortodoks që nga shkurti i vitit 1991 që tentonte të merrte postin e kryetarit të PD-së. Në këtë sfidë Pollo kishte qartas mbështetjen europiane dhe greke. Gjithçka po zhvillohej si një deja vu e vitit 1991. Në janar 1991, kur kryeministri grek Micotakis ishte duke vizutuar Tiranën, Gramoz Pashko u nxit prej grekëve që t’ i hynte sfidës për të marrë drejtimin e PD-së. Në gusht të vitit 1999, kur kryeministri grek Simitits gjendej në vizitë në Tiranë, Pollo pas një takimi me të, e shpalli hapur synimin e tij për të kandiduar për postin e kryetarit të PD-së. Pollo filloi një fushatë agresive në konferencat e rretheve, duke pasur dhe mbështetjen e strukturave shtetërore, për të siguruar zgjedhjen si delegatë në Kuvend të mbështetësve të vet. Në ditët e Kuvendit të PD-së në Tiranë erdhi për t’ i dhënë mbështettje të hapur Pollos edhe kryetarja e komisionit të parlamentit europian për Europën Juglindore, Doris Pack. Doris Pack, duke e pasur bazën e formimit të vet intelektual si një mësuese e shkollës fillore, gjë për të cilën qe diplomuar në 1965 dhe këtë profesion e pati ushtruar në vitet 1965-1974, kur hyri në politikë, u soll në këtë cështje si një mësuese filloreje në një debat të nxënësve, duke arritur saktësisht të kundërtën e asaj që dëshironte.
Kur Pollo, gjatë kuvendit, pa se tentativa e tij megjithatë nuk do të kishte sukses, ai u tërhoq nga kandidimi për kryetar si dhe për forumet drejtuese të partisë, duke dashur ta vinte në një vështirësi të një lloji tjetër Berishën, pasi statuti i partisë kërkonte që të qenë më tepër se dy kandidatë. Berisha e kapërceu këtë situatë kurthi duke nxjerrë si kandidat të minutës së fundit Uran Butkën. Në këtë situatë, Pollo u rishfaq në podium për të përgënjeshtruar vetveten, duke thënë se tërheqja e tij nga kandidimi nuk nënkuptonte edhe kandidimin për forumet drejtuese. Ishte e qartë se Pollo donte që të mbetej në forumet drejtuese të partisë për të bërë opozitën kundër Berishës nga brenda partisë. Por kjo deklaratë e Pollos nuk u mor parasysh nga kuvendi dhe ai nuk u përfshi në listën e kandidatëve për forumet drejtuese të partisë. Berisha u rizgjodh kryetar i PD-së ndërsa Pollo mbeti jashtë forumeve drejtuese të partisë, si pasojë e konfliktit me Berishën. Me largimin e Pollos të krishterët ortodoksët mbetën jashtë lidershipit të PD, duke paguar kështu tentativën për të marrë kontrollin e partisë.
Berisha nuk do të mundte ta neutralizonte rrezikun «Pollo» pa mbështetjen amerikane. Amerikanët shihnin tek sfida e Pollos një tentativë të Greqisë për të prishur kompromisin amerikano-grek të vitit 1990 për politikën shqiptare, sa i përket PD-së, në një kohë që amerikanët po e respektonin atë sa i përket PS-së. të kontrolluara nga PS në pushtet.
Pollo dhe mbështetësit e vet, nga të cilët qenë edhe katër-pesë deputetë, edhe pse qenë praktikisht jashtë PD-së, krijuan të ashtuquajturën Lëvizje Reformatore në PD. Pollo pretendonte se të ashtuquajturën Lëvizje Reformatore e mbështeste anëtarësia e gjerë të partisë filloi ta quante PD-në zyrtare me në krye Berishën si “fraksioni vulëmbajtës“. Pollo shprehej se “PD-ja nuk mund të hyjë në shekullin XXI me alternativën ’O Sali, o flori!“, duke ironizuar me sloganin e brohoritur në mitingjet e PD-së nga disa militantë të kësaj partie.
Në maj të vitit 2000, kur Genc Pollo priste ngushëllime për tre vjetorin e vdekjes së babait të tij, kjo përkujtimore u shndrrua në një miting politik ku erdhën shumë ish-nomenklaturistë dhe militantë socialistë që e kishin bojkotuar ceremoninë mortore të të ndjerit në vitin 1997 për shkak se Pollo atëhere qe pranë Berishës dhe që këtë herë shkuan ta përgëzojnë Pollon që doli kundër Berishës dhe i uronin që të bëhej kryetar i PD-sw. Kështu u krijua një situatë jo fort e zakonshme për raste të tilla, pasi pjesa më e madhe e atyre që vinin, kur i jepnin dorën Genc Pollos i thoshin në fillim “Të lumtë!“ dhe “Ah të ishte gjallë babai të të shikonte“ dhe pastaj e ngushëllonin për vdekjen e babait.
Më në fund, pasi Pollo u bind se nuk kishte kuptim që të vazhdonte lojën e të qenit një oponent i Berishës brenda PD-së, prandaj e ndau mendjen që të shkëputej përfundimisht nga kjo parti dhe të krijonte një parti të re. Pollo në fund të vitit 2000 inicoi krijimin e Partisë Demokrate të Re. Krijimi i partisë së re u shpall me shumë bujë sikur do të qe bashkimi i të gjithë partive dhe grupimeve që patën dalë nga PD, si pasojë e konfliktualitetit të Berishës. Me partinë e re u shkri dhe Partia Demokratike e Djathtë e kryesuar nga Petrit Kalakula, Lëvizja për Demokraci e kryesuar nga Dashamir Shehi dhe ku bënte pjesë edhe Genc Ruli etj. Në fjalorin e mediave shqiptare pranë qeverisë së majtë, kjo parti e re filloi të quhej si reformatore, dhe krerët e saj quheshin “reformatorë“, edhe pse e ashtuquajtura lëvizja reformatore në PD logjikisht kishte marrë fund me daljen e bartësve të kësaj lëvizjeje nga partia dhe krijimin e një partie të re. Akoma më absurde dhe e çuditshme ishte prirja e analistëve të majtë për ta quajtur partinë e re si reformatore dhe të moderuar në krahasim me PD-në e Berishës, kur dihej se partia e re kishte pranuar rrymën e Kalakulës që ishte larguar nga PD-ja në 1993, si radikal i djathtë, duke u deklaruar si profashist. Në vitin 2002, komisioni parlamentar për hetimin e veprimtarisë së SHIK, zbuloi dokumente që tregonin se kishte qenë SHIK ai që në vitet 1999-2001 e stimulonte mbështetjen për “reformatorët“ në media dhe në mënyra të tjera.
Në janar 2001 partia e re organizoi në Tiranë një kongres të kësaj partie, ku Pollo u shfaq duke pasur Doris Pack në krah, si mentoren e vet. Për motivin e lidhjes së fortë të Pollos me Doris Pack mund të ketë arsye jo vetëm politike. Unë nuk kam fakte për të provuar të kundërtën, por nuk mund të mos e ve në dijeni lexuesin shqiptar se Doris Pack në fushatat elektorale në Gjermani është akuzuar se kur ka punuar si mësuese në Gjermani në vitet 1965-1974 është hetuar nga autoritetet për disa afera që nuk janë të denja jo vetëm për moralin e një politikani, por as të një njeriu të thjeshtë.
Pollo nuk u zgjodh kryetar i partisë së re por sekretar politik i saj, një post tek i cili u komentua ngjashmëria me atë që kishte marrë Enver Hoxha kur u krijua PKSH në 1941. Në fjalorin politik shqiptar partia e re shpejt mori emrin “Partia e Pollos“, një mënyrë sinjifikative kjo për të treguar se partia e re ekzistonte vetëm për hir të kreut të saj. Me krijimin e partisë së re, u shkallëzua konflikti me PD-në, për shkak se partia e re bëri të vetën siglën dhe logon e PD-së, çka dukej qartë se ishte bërë me synim që të ngatërroheshin zgjedhësit kur të merrnin në dorë fletën e votimit dhe të votonin për partinë e re duke menduar se po votonin për PD-në. Me mbështetjen e qartë të kryeministrit të asaj kohe Meta, partia e re mundi të të regjistrohej me sigël dhe logo praktikisht të njëjta me PD-në. Një proces gjyqësor i hapur nga PD-ja për këtë çështje i dha të drejtë partisë së re dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 praktikisht morën pjesë dy parti me të njëjtën sigël dhe logo.
Pas të gjitha gjasave për efekt të ngatërrimit të siglës, partia e Pollos mundi të fitojë në zgjedhjet e vitit 2001 5.1% të votave dhe të sigurojë 6 deputetë nga lista shumëemërore. Por, ironikisht kryetari i partisë, Pollo nuk qe njëri prej tyre, pasi ai nuk arriti që të merrte në zonën ku konkuroi në Tiranë, 600 votat që i duheshin minimalisht për të siguruar një prej gjashtë vendeve që partia e tij fitoi në parlament. Pollos sikur i ra pika kur mësoi se kishte mbetur jashtë parlamentit dhe nuk la gur pa lëvizur që nga Ilir Meta, Doris Pack dhe deri tek ambasadori grek, që ai të hynte në parlament. Pas ndërhyrjeve të Pollos, kryetari i KQZ, Ilirian Celibashi i tha se ai ishte gati ta pranonte shkeljen e marrëveshjes brendapartiake të kandidatëve të PDR, të depozituar në KQZ, në rast se nga PDR i vinte një listë ku në vend të emrit të një kandidati fitues vihej emri i Pollos. Atëhere Pollo deshi të bëjë një manovër bizantine për t’ u bërë deputet, duke konspiruar me nënkryetarin e partisë, Tritan Shehun, që ky të conte në KQZ një listë me emra ku të përjashtohej një kandidat fitues, sipas marrëveshjes brenda partiake, i cili sot është deputet i PDK, duke vënë në vend të emrit të tij emrin e Pollos.
Është merita e këtij kandidati fitues që e tregoi veten burrë nga tradita më e mirë e malësive shqiptare dhe nuk e lejoi këtë manovër, duke thënë se ai kishte investuar shumë për vendin në parlament dhe do ta mbronte atë deri edhe me gjak, duke mos u përulur as para joshjeve që iu bënë me premtime dhe as para kërcënimeve të terthorta nga qeveria. Kështu Pollo mbeti jashtë parlamentit, gjë që thuhet se e bëri Doris Pack-un të rrijë një natë pa gjumë. E vetmja kënaqësi për Pollon në këto zgjedhje ishte se partia e tij e dëmtoi PD-në edhe në konkurimin në mazhoritar, duke u bërë shkak që kjo të humbte në së paku gjashtë zona zgjedhore.
Sikur mos të mjaftonte që Pollo nuk u zgjodh deputet, pas zgjedhjeve i ndodhi dhe çarja në parti, ironikisht për po ato motive për të cilat Pollo kishte dalë kundër Berishës në PD. Pas zgjedhjeve nga partia e re u largua Dashamir Shehi, i zgjedhur deputet, i cili e akuzoi Pollon për autoritarizëm, duke e krahasuar me Berishën. Shehi krijoi një parti të re, çka bëri që gjërat të ngjajnë me ato kukullat kineze të vëna brenda njëra tjetrës.
Me pajtimin e madh të politikës shqiptare, në prag të zgjedhjes së Presidentit, në vitin 2002, ndodhi edhe pajtimi Pollo-Berisha, si për inerci të pajtimit Nano-Berisha. Pollo, edhe pse nuk qe deputet, u ftua si palë në marrëveshjen ndërpartiake për zgjedhjen e Presidentit, në qershor 2002, ku firmoi përkrah Nanos, Berishës, Gjinushit, Mediut. Dukej se dikush qe i interesuar që ta mbante në lojë Pollon. Por partia e Pollos u bë një nga viktimat e pajtimit Nano-Berisha, pasi një nga kushtet e pashkruara të Berishës ishte që qeveria të influenconte që në shkallët e tjera të gjyqësorit të vendosej që partia e Pollos të ndryshonte siglën dhe logon, gjë që edhe u bë. Si pasojë, në zgjedhjet vendore të vitit 2003, ku partia e Pollos kandidoi me sigël dhe logo të ndryshme nga PD nuk mundi të marrë më tepër se 2.19% të votave, çka qe një sinjal i keq për zgjedhjet e ardhme parlamentare, pasi do të thoshte se partia nuk e kalonte dot pragun prej 2.5%, të nevojshëm për të marrë vende nga proporcionali.
Në vazhdim, në vitin 2003, Pollo dhe partia e tij do të merrnin nga Berisha epitetin “patericë e Nanos” për shkak se kur Nano, pas largimit të Metës dhe mbështetësve të tij, u gjend në vështirësi në parlament për të miratuar dekretet për emërimin e ministrave zëvendësues dhe e kishte të nevojshme uljen e numrit të deputetëve pjesëmarrës në seancë për të ulur numrin e mazhorancës parlamentare të nevojshme për miratimin e dekreteve, deputetët e Pollos nuk morën pjesë, duke i dhënë mundësi Nanos t’ i miratonte dekretet. Në fillim të vitit 2004, kur konflikti mes opozitës dhe qeverisë u shkallëzua, me lëvizjen “Nano ik“, Pollo, përkundër kërkesave të një pjese të partisë, ku bënte pjesë dhe sekretari i përgjithshëm Çollaku, që partia të angazhohej në këtë lëvizje opozitare, refuzoi ta angazhonte partinë e tij në këtë lëvizje. Madje Çollaku, për shkak të pjesëmarrjes së tij në një miting të koalicionit opozitar me në krye PD-në, u përjashtua nga PDR.
Genc Pollo në prag të shndrrimit në “fosil“ të arkeologjisë së politikës shqiptare
Pollo u afrua me Berishën dhe PD-në në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, me gjasë duke e kuptuar se në rast se partia e tij do të dilte e vetme në zgjedhje, atëhere do të mbetej jashtë parlamentit edhe partia dhe jo vetëm Pollo si në vitin 2001. Pollo dhe partia e tij hynë në koalicionin opozitar të kryesuar nga PD, me kushte shumë të mira. PDR siguroi paraprakisht, me një aleancë parazgjedhore, dy zona të sigurta të lira për kandidatët e saj dhe mundësinë për të fituar vende në sistemin proporcional, falë zbatimit të formulës së “mega-dushkut“, sipas së cilës PD u bënte thirrje zgjedhësve që të votonin për PD-në në votimin në mazhoritar dhe për partitë aleate, përfshi PDR-në në votimin në proporcional. Kështu, ironikisht, e ashtuquajtura Lëvizje Reformatore në PD, e inicuar nga Pollo në 1999, bëri një rrotullim të plotë, duke përfunduar në vitin 2005, në një marrëveshje amorale dhe kompromentuese me Berishën, për të siguruar disa vende në parlament për ish-krerët e kësaj lëvizjeje. “Reformatorët“, ndryshe nga shokët e Ulisit që u shndrruan në derra nga Circja, u vetshndrruan në “derra“ që të mund të ushqeheshin me “lende dushku“ nga “Circja“ e tyre (Berisha).
“Lendet e dushkut“ dolën shumë të shijshme për Pollon dhe partinë e tij që falë aleancës me PD-në fituan 7.4% të votave në proporcional dhe 6 deputetë, pa konkuruar fare në mazhoritar, përveç dy zonave të lira. Pollo u bë përsëri deputet dhe madje fitoi dhe portofolin e ministrit të Arsimit. Pasi koalicioni opozitar fitoi zgjedhjet e korrikut 2005, Pollo në fillim i kërkoi Berishës portofolin e ministrit të jashtëm. Sigurisht që këtë kërkesë e bëri me urdhër të Athinës, së cilës do t’ i përshtatej që i nipi i oficerit grek të ishte shef i diplomacisë shqiptare në momentin më delikat për cështjen shqiptare kur vendoset fati i Kosovës dhe kur pritet që Greqia të avancojë në kërkesat e veta nacionaliste në Shqipëri, që nga regjistrimi fetar dhe etnik i popullsisë dhe deri tek kërkesat maksimaliste si në kohën e Take Pollos. Berisha bëri mirë që nuk ia dha Pollos portofolin e punëve të jashtme, pasi kështu do të bënte një tradhëti kombëtare.
Gjithsesi, edhe duke i dhënë Pollos portofolin e arsimit Berisha vazhdoi një traditë të keqe të një qeverie paraardhëse socialiste që kur Ben Blushi mori portofolin e Arsimit, u bë qeveria e parë në historinë e shtetit shqiptar që kishte për ministër arsimi një njeri që nuk kishte qenë kurrë mësimdhënës. Si ministër, Pollo nuk ka ndërmend të merret me problemet e mëdha të arsimit shqiptar, port a përdorë postin për përfitime financiare dhe për ekzibicionizëm në rrafsh ndërkombëtar dhe vendor.
Brenda vendit Pollos i pëlqen të luajë një rol dhe të mbajë fjalime prekëse në melodrama që organizohen për fëmijët, siç qe rasti me Konferencën kombëtare për të drejtat e fëmijëve, që u mbajt në Tiranë, në maj 2006. Në këtë tubim Pollo u shpreh: “Kujdesi ndaj fëmijëve dhe kujdesi ndaj të gjithë shtresave në nevojë, mendoj që bën një dallim thelbësor midis shoqërive të civilizuara, dhe kështu ka qënë ndoshta edhe para 2.000 vjetësh. Nevoja për të pregatitur më të vegjëlit, më të rinjtë, me një formim dhe arsimim të duhur për të qënë qytetarë të denjë të një shoqërie dhe për të patur aftësitë e tyre që të përballojnë jetën në vështirësitë e saj, është gjithashtu një detyrim i një shoqërie të civilizuar“.
Shumë bukur, por edhe këtë vit nxënësit shqiptarë kanë kushte që ndoshta nuk është ekzagjerim i madh t’ i quash si të para 2000 viteve, pasi nuk kanë libra, të cilat detyrohen t’ i blejnë në tregun e zi, dhe vazhdojnë të mësojnë në shkolla që në pjesën më të madhe nuk do të quheshin të përshtatshme në Perëndim as si vende për strehimin e bagëtive. Por Pollos pak i interesojnë këto gjëra. Ajo që i pëlqen vërtet atij është që ta përdorë postin e vet për të krijuar lidhje me njerëz të shquar në rang ndërkombëtar, me të cilat kënaq vanitetin e vet dhe me të cilat kërkon të rritë reputacionin e vet tek opinioni shqiptar. Kështu Pollo, në fillim të këtij viti i njoftoi shqiptarët për takimin e vet me Bill Gates gjatë një tubimi të mbajtur në Portugali.
Ministri Pollo nuk mungon që të bëjë edhe shfaqje politike në shkolla, siç bëri dimrin e kaluar në shkollën “Sabaudin Gabrani“ në Tiranë, ku u bëri nxënësve që dridheshin nga të ftohtët dhe donin të dinin se çdo të bëhej për ngrohjen e ambienteve ku mësonin, një leksion për ndarjen e kompetencave në shtet (cituar sipas faqes në Internet të Ministrisë së Arsimit): “Vizitova kete shkolle ne Tirane dhe pashe nxenesit e klases se pare dhe te dyte: eshte shume ftohte brenda. E dime qe shkollat qe kemi, qe kane qene ndertuar ne periudhen e 15 viteve te fundit nuk kane sisteme ngrohjeje dhe ngrohja e tyre behet me soba druri ose soba gazi; aty ku jane ndertuar kaldajat nga bashkia nuk jane futur ende ne pune. Ketu jemi ne nje shkolle qe nuk ka shume probleme, por po te dalim nga Tirana shkollat jane ne nje gjendje edhe me te veshtire.
Duhet te bejme te qarte se ngrohja deri tani eshte detyrimi i bashkise dhe per kete, bashkia merr nga buxheti i shtetit nje grant te pakushtezuar permes te cilit, duhet te ishte bere blerja per dru, nafte e gaz, apo ndonje forme tjeter, ne menyre qe shkollat te furnizoheshin me energji dhe te sigurohej ngrohja ne to.
Autonomia e Pushtetit Lokal nuk do te thote ikje nga pergjegjesia, une do tu beja thirrje bashkive dhe Keshillave Bashkiake ne Tirane, Durres, Korçe, Shkoder e kudo, qe te marrin pergjegjesite e tyre, çfare kane bere per ngrohjen, per furnizimin e shkollave me lende djegese”.
Pastaj ministri i ngushëlloi duke u thënë se në Kosovë bënte edhe më ftohtë: “Ne Kosove ku une isha, qe edhe me ftohte se kaq”.
Por, edhe më ftohtë bën në partinë e Pollos, ku në maj të këtij viti, nënkryetari, Nard Ndoka, njëherësh edhe deputet, shpalli se do të largohej nga partia, në drejtim të Partisë Demokrastiane, së bashku me dy deputetë të tjerë, për shkak të autoritarizmit të Pollos, të cilin e akuzoi se nuk mbledh forumet e partisë dhe i merr vendimet jashtë tyre. Është për t’ u habitur se përse zonja Doris Pack hesht për këto që po ndodhin në partinë së cilës ajo iu bë “kumbarë”. Duke qenë se partisë së Pollos i ishte larguar më parë një deputet tjetër në drejtim të PD-së (Ferdinand Xhaferri), atëherë me largimin e Nard Ndokës dhe dy mbështetësve të tij, PDR-së i mbetën vetëm dy deputetë, duke u reduktuar në përmasat e partisë së Arian Starovës. Madje edhe i vetmi deputet që i ka mbetur Pollos, Tritan Shehu, shpesh ka treguar se nuk i bindet kryetarit të partisë së vet dhe se është më afër partisë së Nard Ndokës se asaj të Pollos.
Pollo tash ka fshehur kokën si struci (në portofolin ministror) se nuk kërkon të shikojë, ose më saktë të pranojë se iu shkri partia praktikisht iu shkri partia dhe tash logjikisht duhet të dorëzojë portofolin ministror që e ka marrë kur partia e tij ka pasur gjashtë deputetë, edhe pse këta kanë qenë të falur nga PD. Në rast se duhen bërë ndryshime në qeveri, Pollo është i pari që duhet të dorëzojë portofolin ministror, gjë që ai nuk e pranon në asnjë mënyrë, pasi përpara janë edhe disa tendera të rëndësishme të cilat ministri i ka shumë për zemër t’ i bëjë vetë. Gjithsesi, një gjë është e sigurt, kur ministri Pollo ta ketë lëshuar portofolin ministror, shkollat dhe arsimi shqiptar në përgjithësi, do të kenë avancuar në të qenit objekt i shkencës në të cilën Pollo supozohet që të jetë profesionist, në arkeologji.
Genc Pollo në ministrinë që drejton stafin e ngushtë e ka të gjithë të fesë ortodokse, së cilës i përket. Kështu, të dy këshilltarët, si atë të brendshëm (Stavri Llambiri), ashtu dhe atë të jashtëm (Valentina Duka) i ka të fesë ortodokse. I fesë ortodokse është dhe shefi i kabinetit të ministrit, Gjergj Gjinko. Gjithashtu, ministri Pollo është dhe nepotist, pasi si zëvendësministre ka marrë kushërirën e gruas së vet. Pollo ndërhyu tek Berisha që baxhanaku i vet të bëhet kryetar i Këshillit Kombëtar të të radio-televizioneve, në një kohë që ai ka qenë shumë afër së majtës dhe në vitin 2003 qe projektuar nga ish-kryeministri socialist Fatos Nano për t’ u bërë ministër i integrimit, në rast se Nanos do t’ i duheshin votat e deputetëve të Pollos për të kaluar në parlament ndryshimet në qeveri. Edhe për njerëzit e PDR-së Pollo është “Ati mirëbërës”. Duke qenë se anëtarët e partisë të tij janë aq pak sa mund të futen në tre-katër autobusa, ai i ka rënë shkurt duke i punësuar thuajse të gjithë në Ministrinë e Arsimit. Edhe licencat për universitete private, Genc Pollo i përdor për si monedhë për të shpërblyer njerëzit e partisë së vet. Kështu ministri Pollo dha licencën për Universitetin Europian të Tiranës ku rektor është Ferit Duka, burri i këshilltares së vet, Valentina Duka.
Genc Pollo është përpjekur të krijojë për veten imazhin e një intelektuali që ka hyrë në politikë. Asgjë të vërtetë nuk ka këtu. Genc Pollo ka pretenduar se ka marrë doktoraturën nër në Austri, por deri më sot nuk ka paraqitur një dokument për këtë gjë. E shumta që mund të ketë bërë ai në Austri është që të ketë marrë një master, por deri më sot nuk ka botuar as një studim me të cilin supozohet që ta ketë bërë këtë gjë, edhe pse paratë nuk i kanë munguar për ta bërë një gjë të tillë. Gjatë kohës që punoi në sektorin e kërkimeve në Akademinë e Shkencave ai nuk botoi as edhe një studim të vetëm dhe pasi u kthye nga studimet në Austri dhe filloi punë në Institutin Arkeologjik nuk botoi as edhe një artikull të vetëm për cështjet e arkeologjisë. Ish-eprori i Genc Pollos në Institutin e Arkeologjisë, Neritan Ceka, edhe pse ka 16 vjet që është i angazhuar në politikë si Genc Pollo, nuk është shkëputur nga studimet dhe kërkimet arkeologjike dhe ka botuar libra, artikuj studimorë dhe ka marrë pjesë në ekspedita, ndërsa Genc Pollo nuk ka bërë asgjë të tillë. Kolegët e politikanë të Genc Pollos që kanë studiuar për histori si Neritan Ceka, Paskal Milo apo Pëllumb Xhufi, kur marrin pjesë në debate televizive paraqesin argumente që tregojnë njohuritë e tyre historike, ndërsa Genc Pollo nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë. Pra, Genc Pollo realisht nuk është një intelektual, në sensin që një intelektual është më tepër se një njeri i shkolluar.
Edmond Tupja, në një intervistë që dha para dy javësh në “Zonë e Lirë” të Arian Canit, në Tv Klan, e akuzoi ministrin Pollo se ligjin për arsimin e lartë e ka hartuar me bashkëpunimin e ish-këshilltarit të zëvendësit të kryeministrit komunist Adil Carcanit dhe politbyroistit, Manush Myftiu. Individi në fjalë është anëtar i kryesisë së partisë së Pollos, që ka lidhje të forta me ish-nomenklaturistët. Gjithsesi, nuk është ironi e vogël që reformën në arsimin e lartë në Shqipëri po e bën një ministër që nuk ka qenë asnjë ditë mësimdhënës jo vetëm në universitet, por as në arsimin fillor si Doris Pack.
Tash Pollo është në hall të madh për zgjedhjet lokale, pasi në to pritet të provojë anën e keqe të skemës së mega-“Dushkut”, se Berisha ka dalë me tezën që rikompozimi i qeverisë do të bëhet pas zgjedhjeve varësisht votave që do të marrin partitë e koalicionit qeverisës në sistemin proporcional pra për këshilltarët e bashkive dhe komunave. Në rast se PDR nuk merr 2.5% atëhere do t’ i duhet ta dorëzojë portofolin ministror.
Karriera politike e Pollos, e cila ngjan e pabesueshme në çdo vend serioz dhe demokratik, mund të ndodhë vetëm në Shqipërinë e tranzicionit. Kjo karrierë është një përrallë nga tranzicioni shqiptar, një përrallë në vargun e “Përrallave nga Zullulandi” që filloi të shkruajë dikur Faik Konica duke pasur ndërmend Shqipërinë dhe prej të cilave ai mundi të shkruante vetëm të parën dhe që të tjerat ne mund t’ i shkruajmë me fenomenet e tashme të tranzicionit shqiptar. Sa do të zgjasë aventura e Pollos si politikan dhe shtetar? Nëse nuk ndodh një mrekulli ai shumë shpejt do të bëhet një fenomen i arkeologjisë së politikës shqiptare, një fosil i çuditshëm politik, që do t’ i bëjë kuriozë studiuesit e politikës shqiptare. Për t’ i shpëtuar këtij fati Genc Pollo është duke kërkuar ndihmën e Doris Pack dhe të Athinës. Por, me sa duket këta janë bindur se Pollo me apatinë e vet dhe mungesën e oratorisë nuk vlen si kartë politike.





