SI U FRYMËZUA KADARE NGA QENI I KUFIRIT






Që në kohët e vjetra ka qenë tradita e poetëve që të thë­rrasin muzën që frymëzon për të thurur vargje nga Mali Parnas. Muza për të gjithë poetët qe një femër e hijshme. Por për Ismail Kada­renë e ri muza qe një qen dhe jo një qen dosido, por një qen me hije të frikshme, qeni sigurims i kufirit. Në 1958 Ismail Kadare botoi poezinë «Qeni i kufirit». Këtë vjershë Kadare e botoi në vitin që shkoi për studime pas­universitare në Moskë, me sa duket si kredencial shtesë për të fituar këtë bursë. Në Shqipëri dhe në gjithë vendet komuniste ka pasur shumë poetë që kanë bërë vargje për oficerët e poli­cisë sekrete, bashkëpunëtorët e saj, por me siguri që Kadare është i vetmi poet në universin komunist që i ka shkruar një poezi qenit të kufirit, kësaj kafshe të urryer nga të gjithë njerëzit, pasi qe simboli i diktaturës dhe i represionit të saj mbi njerëzit, duke qenë se qe një kafshë e stër­vitur dhe përdorej për të kapur ata që donin të kapërcenin kufi­rin për t’u arratisur nga skëterra komuniste. Në Shqipëri qeni i kufirit nuk kishte si funksion mbrojtjen e kufirit nga armiqtë, se serbët dhe grekët nuk donin regjim më të mirë se ai i Enver Hoxhës në Shqipëri, derisa nuk e ndanin dot Shqipërinë mes tyre. Regjimi i Enver Hoxhës e kishte shndërruar Shqipërinë në një «Kore të Veriut» europiane, për kënaqësinë e serbëve dhe grekëve. Në këtë poezi Kadare shkruan:
«Merr frymë shpejt.
Me sy nervozë
Vështron përqark;
Një rryp i blertë
I shtrëngon qafën muskuloze,
Tek ec në pyll me hap të lehtë.

Bilbilat që nga drurët e shohin me nderim,
Sorkadhet brirët e bukur i ulin në blerim

Dhe ujqit vetë, po t’u delte përpara
Do t’i hapnin udhën kafshës ushtare».[1]

Bilbilat që këndojnë në drurët e pyllit janë përdorur në letër­sinë botërore për të bërë shumë figura letrare që kanë lidhje me dashurinë, paqen, harmoninë etj., por me siguri është një rast unik kur bilbilat, apo edhe sorkadhet keqpërdoren me kaq cini­zëm në një figurë letrare, duke i bërë të nderojnë qenin sigurims. Madje edhe vetë ujqit duhet të ndjenin përbuzje për këtë kafshë totali­tare, pasi ujqit, edhe kur hanin njerëz, këtë e bënin për t’u ush­qyer dhe mbijetuar, ndërsa, qeni i kufirit i kapte njerëzit për të ushqyer makinerinë vrasëse të diktaturës. Vetëm një bashkëpu­nëtor i zellshëm i Sigurimit të Shtetit mund të shkruante poezinë «Qeni i kufirit».
Ismail Kadare, në librin «Kohë barbare», që është një inter­vistë që ai i ka dhënë gazetarit Denis Fernandez Recatala, zhvi­llon këtë dialog me këtë gazetar. Denis Fernandez Recatala i thotë: «Disa shkrimtarë e kanë mbështetur regjimin...».[2]
Ismail Kadare i përgjigjet kështu:
«Nuk e mohoj. Ata kanë përhapur sloganët e Partisë. Kanë bashkëpunuar në fushatat kundër liberalëve, Perëndimit dhe deka­dencës kapitaliste. Madje kanë përgëzuar krimet e kryera nga shteti. I shndërruan në heronj policët dhe shefat e policisë sek­rete. Spiunët i paraqitën në poza romaneske, pse jo dhe roman­tike. Me një fjalë, diçka jo dhe aq e këndshme. Ata u sollën pa diskutim si qen roje të regjimit. Por askush nuk i detyroi ta bënin këtë gjë».[3]
Shumë bukur! Kështu del se Kadare, vetëm duke shkruar poezinë «Qeni i kufirit» e ka bërë veten, siç shprehet vetë, «qen roje të regjimit», pa i detyruar kush ta bënin këtë. Më tutje, Denis Fernandes Recatala e pyet Ismail Kadarenë:
«Megjithatë, vendet socialiste vuanin nga kjo lloj prodhim­tarie apo jo?»[4]
Ismail Kadare i përgjigjet:
«Në fakt, gjysma e filmave të vendeve ish-socialiste i thurte lavde spiunëve dhe denon­cue­sve. E pastaj? Ministri i brend­shëm financonte romanet? Sigu­risht! Megjithatë nuk u vihej ndonjë revolver në tëmth atyre që iu bindeshin kërkesave».[5]
Bukur! Pra, as Kadaresë nuk ia paskan vënë «revolverin në tëmth» për të shkruar për qenin e kufirit dhe për gjëra të tjera që do t’i shkruante më pas. Ai e ka bërë këtë gjë se me vetëdije qe qen roje i regjimit dhe lumturohej duke qenë i tillë. Çfarë ka bërë gjatë dy viteve që qëndroi në Moskë njeriu që i pati bërë një himn qenit të kufirit? Nuk është e vështirë ta marrësh me mend. Nga procesverbali i publikuar i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PPSH të tetorit 1982, ku Enver Hoxha i bëri «gjyqin» ish-Ministrit të Brendshëm në vitet 1954-1979, Kadri Hazbiut, doli se shumë nga studentët shqiptarë që shkuan në Bashkimin Sovjetik, me rekomandim të Sigurimit të Shtetit, u vunë në dispozicion të KGB-së, që kjo t’i përdorte si informa­torë dhe agjentë në drejtimet që e quante të nevojshme. Sigu­risht që pati edhe nga shkrimtarët dhe poetët shqiptarë që stu­dio­nin në Institutin «Gorki» në Moskë që përgatiste shkrimtarë dhe poetë, me rekomandim të Sigurimit të Shtetit u vunë në shërbim të KGB-së për të spiunuar bashkëstudentët e tyre. Siç dihet KGB i ka pasur gjithherë në fokus shkrimtarët. Natyrisht që Ismail Kadare, poeti i qenit të kufirit, duhet të qe i pari në këtë listë, si më i përshtatshmi.


[1] Ismail Kadare: «Shekulli im», «Naim Frashëri», Tiranë, 1961, f. 6.
[2] Ismail Kadare & Denis Fernandes Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë, 2004, f. 18.

[3] Po aty.
[4] Po aty.
[5] Po aty.