KUR ISMAIL KADARE PROPAGANDONTE REVOLUCIONIN KULTURAL KINEZ






Në librin e Ismail Kadare «Linja të largëta» (1971) gjendet edhe shkrimi me titull «Nëpër Kinën e madhe», që është një reportazh i Kadaresë nga një vizitë që ai ka bërë në Kinë, në tetor 1967, në kohën e të ashtuquajturit Revolucion Kultural Proletar Kinez. Që në fillim të shkrimit, Kadare duket i lumtur nga miqësia që Shqipëria ka me Kinën revolucionare:
«Të jesh mik me popullin kinez. Me një kontinent të tërë. Me një revolucion vigan».[1]
Në Kongresin V të PPSH, që u mbajt në Tiranë, në nëntor 1966, Enver Hoxha tha: «Populli shqiptar e quan për nder e krenohet që ka një mik e shok armësh kaq besnik e të vendosur në ditë të mira e të vështira, si populli vëlla kinez e Republika Popullore e Kinës».[2]
Këto fjalë të Enver Hoxhës, Ismail Kadare i riprodhon në mënyrën e vet, me më shumë fantazi latrare. Po në këtë shkrim të vetin Kadare thotë:
«Kina e madhe. Ç’mund të përmbledhësh nga këto hapësira të pafund, në disa shënime udhëtimi, ç’mund të skicosh më parë nga gjithë ky revolucion vigan, era e të cilit fryn nga brigjet e Paqësorit gjer në Himalajat?... Është shumë e vështirë të për­shkruash qoftë edhe një pjesë të kësaj madhështie, qoftë edhe një pjesë të këtij revolucioni. Sepse revolucioni ka për­fshirë teje­mbanë tokën kineze me provincat, fshatrat dhe qytetet e saj të panumurt».[3]
E megjithatë Kadare arriti që të përmbledhë shumë në këto shënime udhëtimi, siç do të tregoj më tutje. Ismail Kadare u çua në Kinë si misionar nga regjimi i Enver Hoxhës në një kohë që edhe në Shqipëri kishte filluar versioni shqiptar enverist i Revolucionit Kultural Kinez, që himnizohej shumë në Shqipëri. Enver Hoxha për Revolucionin Kultural Kinez do të thoshte:
 «Në këtë revolucion të madh e të pashembullt u shquan për guxi­­min dhe frymën e tyre revolucionare rinia kineze, studentët dhe gardistët e kuq, të cilët luftojnë me guxim për të vënë në jetë direktivat e partisë, mësimet e kryetarit Mao Ce Dun, për të çuarrevolucionin përpara pa ndërprerje, për të forcuar gjithnjë e më shumë diktaturën e proletariatit, socializmin».[4]
Shqiptarët e shikonin me shumë dyshim këtë utopi barbare për tmerret dhe çuditë tragjikomike të së cilës mësonin nga radiot dhe televizionet e huaja. Prandaj regjimi çoi Kadarenë në Kinë që të bënte një reportazh dhe t’u thoshte shqiptarëve «të vërtetën» për atë që po ndodhte në Kinë. Kadare e fillon rrë­fimin e vet me një qytet kinez të cilit nuk arriti t’ia mësonte as emrin, pasi qëndroi vetëm pak orë (por kjo mosnjohje gjith­sesi qe në filozofinë e Revolucionit Kultural të zhdukjes dhe ano­ni­matit):
«Nëpër rrugët e këtij qyteti të panjohur skuqnin dhjetëra mijëra dacibao dhe portrete të Mao Ce Dunit. Njerëzit lexonin grumbuj-grumbuj. Herë pas here kalonin kamiona të mbushur plot me gardistë të kuq. Thëllimi rrihte flamujt e kuq që ata mbanin në duar. Herë pas here dëgjohej tingulli i daulleve dhe i cimbaleve. Revolucioni kultural».[5]
Me aftësinë e shkrimtarit, Kadare, me pak fjali koncize e fut lexuesin në atmosferën e Revolucionit Kultural Kinez. Enver Hoxha, në fjalën e mbajtur në sektorin Gradishtë të hekurudhës Rrogozhinë-Fier, në 28.6.1968, u shpreh:
«Nën udhëheqjen e partisë së tij të lavdishme, me marksist-leninistin e madh sho­kun Mao Ce Dun në krye, populli 700-mili­o­nësh kinez po arrin suksese madhështore. Nën udhëheqjen e drejt­përdrejtë dhe sipas mësimeve të Mao Ce Dunit, po kryhet me sukses revolucioni i madh kultural proletar, i cili me godit­jen e tij të fuqishme revo­lucionare shkallmoi nga themelet për­pjekjet dhe shpresat e për­faqësuesve të borgjezisë dhe të ele­mentit revizionist, që kërko­nin ta kthenin Kinën pas dhe të res­tauronin kapitalizmin».[6]
Shkrimi i Kadaresë është një variacion mbi këtë motiv enve­rian.
Çfarë të ketë parë Kadare në Kinën e kohës së Revolucionit kultural, që i është dukur madhështore dhe e ka bërë të ndihet krenar për miqësinë me Kinën revolucionare? Revolucioni Kul­tural Kinez i viteve 1966-1971 qe një utopi barbare. Në «Libri i Zi i Komunizmit» ai cilësohet «anarki totalitare», çka do të thotë anarki e komanduar. Në maj 1966 gruaja e Mao Ce Dunit, Çian Çin u emërua zyrtarisht si drejtuese e Revolucionit kultural. Ajo nxori menjëherë një proklamatë për t’i nxitur masat e gjëra dhe sidomos nxënësit dhe studentët kundër inte­lektualëve, që cilëso­heshin «tiranë të shkolluar». Proklamata përmbante 6 pika që bënin thirrje të hapur për dhunë masive barbare. Shpejt u krijua mekanizmi me anë të të cilit filloi të ushtrohet kjo dhunë. Në korrik u shpall urdhri zyrtar për mbylljen për gjashtë muaj të shkollave të të gjitha niveleve, afat ky që u shty disa herë në vitet e ardhshme. 50 milionë nxënës dhe studentë u organizuan në deta­­shmentet e gardistëve të kuq, një ushtri barbare që shpejt do të invadonte Kinën. Në gusht 1966. Kjo u bë me vendimin famë­keq të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze për Revo­lucionin e Madh Proletar Kultural, ku thuhej se veprimi spon­tan është «e vetmja metodë për masat e gjera që të çlirojnë vetveten». Në këtë vendim para­lajmëroheshin organet shtetërore që «kundër studentëve dhe nxë­nësve mos të ketë ndëshkime».
Gardistët e kuq e mësynë shoqërinë kineze si një hordhi barbare e paparë në historinë kineze. Ata vinin veçanërisht në shënjestër intelektualët, pjesëtarët e «klasave të përmbysura», si dhe ato grupime në administratën partiake dhe shtetërore, që qenë të papëlqyeshëm për Mao Ce Dunin. «Gardistët e kuq e përsërisnin shpesh citatin e tij (Maos): ‘Klasa kapitaliste është lëkura, intelektualët janë qimet që rriten mbi lëkurë. Kur lëkura vdes nuk ka më qime».
Metoda e zgjedhur qe diabolike. Kundër tyre viheshin në mure dacibao, ose siç u njohën në Shqipëri me emrin fletërrufe, ku këtyre njerëzve u numëroheshin fajet e tyre dhe pastaj ata duhet të jepnin përgjigje duke bërë autokritikë. Autokritika qe një ritual ndëshkimor ku viktima poshtërohej dhe torturohej nga gardistët e kuq. Shtëpia e viktimës invadohej dhe grabitej për të zbuluar «prova të fajësisë së tij». Viktima shumë shpesh vritej, ose rrasej në kampe përqendrimi nga ku shpesh nuk dilte gjallë. Duke qenë se Kina gjendej në një periudhë urie, gardistët e kuq shpesh praktikonin dhe kanibalizmin, duke i ngrënë viktimat e tyre.
Gardistët e kuq imponuan rregullat e tyre në shoqëri. U nda­lua mënyra e jetesës borgjeze, ku përfshihej ndalimi i mbaj­tjes së syzeve të diellit, bizhuve. U mbyllën restorantet, kafe­netë, bibliotekat. Patrullat e gardistëve të kuq i ndalonin njerëzit nëpër rrugë dhe u grisnin kostumet perëndimore (me përjashtim të atij tip Mao të ngjashëm me atë të të burgosurve dhe fshe­sarëve në Perëndim), ndërsa femrave u shqyenin fundet e gjata.
Përse gjithë kjo barbari? Mao Ce Duni e bëri Revolucionin Kultural Kinez në një kohë që ai gjendej në një pozitë të vësh­tirë. Pushteti i tij personal qe dobësuar shumë për shkak të dështimit të «Hopit të Madh Përpara» që e futi në kaos ekono­minë dhe shoqërinë kineze, si dhe të sëmundjes së tij. Mao e ndjente se rivalët po e zhvishnin nga pushteti dhe ai nuk kishte çfarë të bënte. Duke mos dashur të bënte një spastrim në stil Stalinist, Mao vendosi ta kryente këtë spastrim duke përdorur masat e gjëra në një aksion «spontan». Mao, regjisori i kësaj utopie barbare synonte të arrinte dy qëllime me anë të saj, një pragmatik dhe një propagandistik:
1) Qëllimi pragmatik që kërkonte të arrinte Mao ishte që të godiste rivalët e vet, si dhe mbështetësit e tyre në provinca.
2) Qëllimi propagandistik që kërkonte të arrinte Mao ishte që t’i thoshte botës në përgjithësi dhe asaj komuniste në veçanti se në Kinë po zhvilloheshin procese origjinale sociale, që do ta çonin këtë vend në komunizëm, së pari në aspektin e ndër­gje­gjes së njerëzve.
Enver Hoxha në Shqipëri nuk ndihej i kërcënuar në pushtetin e vet, por ai e importoi në Shqipëri Revolucionin Kultural Kinez së pari për arsye se si vasal i Maos, Hoxha paguhej nga ky i fundit që të ndërtonte në Europë një Kinë maoiste në miniaturë. Por, Enver Hoxha e përdori versionin shqiptar të këtij revo­lucioni dhe për të ngritur më lart kultin e vet, duke i poshtëruar të gjithë shqiptarët që nga njerëzit më të thjeshtë e deri tek bashkëpunëtorët e vet më të afërt. Të gjithë, me përjashtim të Hoxhës, mund të poshtëroheshin me anë të fletë-rrufeve dhe të detyroheshin të bënin autokritikë. Revolucioni Kultural në Shqi­përi vazhdoi nga viti 1966 deri në vitin 1975. Versioni shqiptar i Revolucionit Kultural Kinez filloi me direktivën e Komitetit Qendror të PPSH, për revolucionarizimin e jetës së vendit në të gjitha fushat, e cila u deklarua në Letrën e Hapur të Komitetit Qendror të PPSH të 4 marsit 1966, ku thuhej:
«Është e domosdoshme që vetë punonjësit të marrin në duart e tyre luftën kundër çfaqjeve e shtrembërimeve të çdo lloji dhe të vendosin një kontroll të përditshëm e të rreptë mbi punën e aparateve shtetërore e të funksionarëve shtetërorë të të gjitha rangjeve e shkallëve, duke e parë këtë punë si çështje jetike».[7]
Si pasojë e kësaj direktive dolën fletë-rrufetë, që ngjiteshin kudo, në qendër të qyteteve, në fabrika, shkolla, stalla, reparte ushtarake, deri edhe në familje. Sipas modelit kinez ai që kri­ti­kohej qe i detyruar të përgjigjej, duke bërë autokritikë. Shfajë­simi nuk pranohej, duke u quajtur si sedër mikroborgjeze. Edhe Enver Hoxha gjatë Revolucionit Kultural shqiptar ndër­mori spastrime barbare në shoqërinë shqiptare, që nga zhdukja e fesë (duke përjashtuar atë islamike që për hir të së vërtetës i duhet njohur si meritë), deri tek spastrimet në art, ushtri, eko­nomi. Në stilin kinez të gjitha këto spastrime u bënë me nxitje nga poshtë, nga «masat punonjëse». Sipas modelit të gardistëve të kuq kinezë edhe në Shqipëri u krijuan brigadat e rinisë të cilat lufto­nin «shfaqjet e huaja». Këto banda terroristësh ndalonin në rrugë femrat që mbanin bizhuteri ose fustane sipas modës perë­ndimore, djemtë me pantallona të ngushta dhe me flokë të gjata dhe u hiqnin bizhuteritë femrave, u prisnin flokët dhe u shqye­nin pantallonat djemve etj. Kur shihej në një çati një antenë e drejtuar për të kapur televizione të huaja, hyhej në shtëpi dhe antena konfiskohej, pas një leksioni qortues për të këqijat e televizioneve imperialisto-revizioniste.
Dhe, sipas Kadaresë, shqiptarët duhet të qenë krenarë për Kinën revolucionare prej nga ku u erdhën të gjitha këto të mira. Më në fund Kadare arriti në Pekin ku gjëja që e mrekullon më së shumti janë dacibaot:
«Në rrugët ka lëvizje të madhe. Në kilometra të tëra shtrihen në vargje të pafund dacibaot. Në mure, në stenda, në vitrina, në fasadat e ndërtesave, në udhëkryqe, mbi portat, nën dritaret, kudo, kudo, kudo, miliona e miliona hieroglife të shkruara nga miliona duar».[8]
Kadare i quan dacibaot si tregues të demokracisë së vërtetë dhe më të madhe të të gjitha kohrave:
«Janë duart e masave, është demokracia e gjerë e masave, më e madhja e demokracive të të gjitha kohrave».[9]
Për rrjedhim edhe fletërrufetë që u përhapën në Shqipëri për­fa­qësonin, në pikëpamjen e Kadaresë, demokracinë më të madhe të të gjitha kohrave. Enver Hoxha i importoi dacibaot në Shqi­përi, duke i quajtur fletë-rrufe. Fletërrufetë qenë një «gjethe fiku» kinez me të cilën regjimi komunist shqiptar kërkonte të mbu­lonte lakuri­qësinë e diktaturës. Fletë-rrufetë në Shqipëri u shfa­qën pasi në Letrën e Hapur të Komitetit Qendror të PPSH u lëshua direktiva:
«Askush nuk duhet të thotë hapur e me zë të lartë mendimin e vet dhe të kritikojë me guxim ato organe apo persona që nuk veprojnë drejt në përputhje me parimet e partisë dhe vijën e saj të drejtë, marksiste-leniniste. Partia jonë kurdoherë ka qenë është e do të jetë përkrahëse dhe mbrojtëse e zjarrtë e zërit të masave».[10]
Ashtu si në Kinë fletë-rrufetë u përdorën në mënyrë përzgje­dhëse për të goditur ata njerëz që donte regjimi dhe posaçërisht diktatori, Kadare kërkonte nga shqiptarët që t’i adhuronin daci­baot, të cilat ishin ndoshta kinezëria që urrehej dhe përbuzej më tepër në Shqipëri. Në Kinë dacibao e parë u vu në 1 qershor 1966 nga një asistent-pedagoge e filozofisë në Universitetin e Pekinit, Nee Yuanzi, pak kohë para daljes së gardistëve të kuq. Në këtë dacibao thuhej: «Të shkatërrojmë të gjithë monstrat revizionistë hrushovianë». Dacibao qe pjesë e një sistemi per­sekutimi masiv në shoqëri, sistem ky i cili kishte dy mjete: daci­baon dhe gardistin e kuq. Me anë të dacibaos viktima iden­ti­fikohej dhe denigrohej, ndërsa pas saj hynin në veprim gar­distët e kuq që e torturonin dhe shpesh e vrisnin viktimën. Kadare e tregon këtë në shkrimin e vet, kur thotë: «Karikaturën e tij e shi­kon kudo. Emrin e tij e gjen të shkruar në miliona daci­bao. Fja­lët e tij demaskohen gjithandej. Idetë e tij bëhen copë e çikë çdo ditë. Në mijëra skena, në qindra sheshe, në dhje­tëra mijëra mble­dhje, në miliona diskutime përmendet ky emër, goditet, shqel­mo­het papushim. Cungo-Hrushov, Hru­shov kinez. Hru­shovi ki­nez nr. 1, Hrushovi kinez nr. 2, Hru­shovi kinez i provi­ncës, i dis­tri­ktit, i rajonit, i fabrikës, i komunës, i shkollës, i kla­sës. Qindra Hrushovë të vegjël dri­dhen përpara masave. Asnjëherë s’është goditur në mënyrë kaq të gjerë, kaq të hollësishme, kaq në një mënyrë masive, një njeri, një ide, një vijë. Është si ajo goditja ritmike, e parreshtur e dallgëve të oqeanit. Godet, godet, papu­shim».[11]
Këtë sistem terrori masiv lartëson Kadare. Kadareja, ky njeri që i ka quajtur dacibaot e Revolucionit Kultural Kinez si demo­kracia më të madhe e të gjitha kohërave, nuk i ka letrat në rre­gull për t’u dhënë leksione demokracie shqiptarëve në vitet 2000, edhe pse flet nga Parisi. Nuk e di nëse Kadaresë i ka kaluar tashmë mrekullimi nga dacibaot kineze, pasi ai duket i magne­tizuar prej tyre:
«Eci përpara këtyre mureve me gojë, i hutuar nga madhë­shtia e tyre. Është fund shtatori. Fryn era e vjeshtës. Ajo lëkund herë pas here cepin e ndonjë dacibaoje të madhe. Daci­baot e Pekinit! Utopistët kanë ëndërruar për libra të shkruara nëpër mure, por imagjinata e tyre as që iu afrua dot përfyty­rimeve të tilla vigane».[12]
Utopistët kanë ëndërruar shumë gjëra, por - sikur të peri­fra­zoj Kadarenë - imagjinata e tyre as mund ta kapte dot feno­menin Kadare të kalimit të paskrupullt nga pozita e mësuesit autoritar të demokracisë së dacibaove në demokracinë «bor­gjeze». Kadaresë së mrekulluar nga dacibaot e shkëput nga magjia e tyre vetëm portreti i Enver Hoxhës:
«Në eter ka muzikë shqiptare. Në rrugë parulla me gërma shqip. Në rreshta të manifestuesve portrete të shokut Enver».[13]
Më tutje, Kadare kërkon të përdorë thjeshtësinë kineze si një alibi për të shfajësuar regjimin maoist për rrafshimin e skajshëm që i kishte bërë shoqërisë kineze në kohën e Revolucionit Kultural, duke filluar që nga veshja, me kostumin e famshëm prej doku. Madje Kadare këtë rrafshim kërkon ta paraqesë si vlerë:
«Ja pra këta janë kinezët. Popull i madh me një histori të madhe».[14]
«Të veshur fare thjesht, me rrobat e tyre karakteristike prej doku ata ecin shpejt. Përpara teje kalojnë punëtorë, studentë, nëpunës, drejtorë, gra shtëpiake, nxënës, ushtarakë, shkencëtarë, fshatarë, artistë, diplomatë, rritës derrash, heronj, balerina, por ti nuk i dallon dot nga veshja e jashtme, nga gjestet, nga të folurit, nga të ecurit, cilët janë njerëz me punë më të thjeshta dhe cilët kanë punë me përgjegjësi. Kinezët janë jashtëzakonisht të thje­shtë. Kjo nuk është një thjeshtësi e shtirur dhe e përkoh­shme. Ajo është e natyrshme, është bërë natyra e dytë e tyre. Thje­shtë­sia kineze është një forcë kolosale e këtij populli të madh».[15]
Thjeshtësia është një virtyt, por kjo nuk do të thotë se në një shoqëri shkencëtari dhe artisti nuk duhet të dallohen nga rritësi i derrave. Të këtillë barazi dhe ngjashmëri mund të ketë vetëm në një burg ose kamp përqendrimi, ku njerëzit mbajnë të njëjtën uni­formë,pavarësisht nëse janë shkencëtarë, artistë, rritës derrash, ushtarakë, nëpunës etj. Kjo që na përshkruan Kadare me kaq entuziazëm nuk është një shoqëri me virtyt të lartë thjeshtësie, por një shoqëri-kamp përqendrimi.
Kadare është prekur shumë dhe nga një gjest i Mao Ce Dunit:
«Para dy vjetësh, natën e festës së 1 tetorit Mao Ce Duni u ul këmbëkryq mu në mes të sheshit Tjen An Men, për të parë fishekzjarret. Ai u ul në tokë, ashtu siç ulen qindra milionë fsha­tarë të vendit të tij, ashtu siç janë ulur miliarda të tjerë gjatë shekujve. Ishte shumë prekëse të shikoje këtë pamje në një film dokumentar. Shoqëruesit e tij vërtiteshin të shqetësuar, ata donin të shtronin së paku diçka në tokë, ata donin të bënin diçka, kurse ai qëndronte i qetë dhe i lumtur, me duar të lidhura për­para gju­njëve, duke vështruar qiellin e ndriçuar të Pekinit».[16]
Mao Ce Duni qe një fshatar nga Hunani, i cili kishte lindur përtokë, kështu që nuk qe një gjë e jashtëzakonshme që një udhëheqës i tillë po ulej përtokë. Sensacion do të qe sikur këtë gjë ta bënte Mbretëresha e Anglisë. Pastaj në atë kohë Mao Ce Duni nuk kishte nevojë për ndonjë gjë mbi të cilën të ulej pasi ai i kishte të pasmet mbi kokat e 700 milionë kinezëve dhe 2 milionë shqiptarëve, duke përfshirë dhe Kadarenë që atëhere adhu­ronte Maon.
Pas Mao Ce Dunit Kadare mrekullohet nga fëmijët kinezë:
«Ja dhe fëmijët. Ata janë të mrekullueshëm. Me sytë e bukur me bisht, që i mbajnë shpeshherë të palëvizshëm, ata magjepsin çdo njeri. Në fillim tremben nga ne (siç duket nga fytyrat tona që nuk i ngjajnë nënës dhe babait). Pastaj afrohen. Ti i jep një distinktiv dhe ai pëshpërit ngadalë: ‘she-she’ - faleminderit».[17]
Kadare nuk e shpjegon se përse fëmijët kinezë i mbajnë sytë shpeshherë të palëvizshëm. Në atë kohë Kina ishte duke kaluar një periudhë urie që filloi që nga koha e «Hopit të Madh Përpara» që e shkatërroi bujqësinë kineze. Revolucioni Kultu­ral, me kaosin që solli, bëri që katastrofa në bujqësi të vazhdojë dhe bashkë me të dhe uria masive. A nuk i ka shkuar ndërmend Kadaresë se fëmijët kinezë qenë thjesht të uritur? Madje të uritur qenë edhe gardistët e kuq, të cilët shpesh i hanin viktimat e tyre. Kanibalizmi qe një aspekt i barbarisë së Revolucionit Kultural. Shpresoj që Kadaresë mos t’i ketë rënë rasti të ketë ngrënë mish njeriu në drekat e gardistëve të kuq, gjatë takimeve me ta. Kadare u ka dhënë distinktiva fëmijëve të uritur kinezë, por ata do të donin më mirë një copë bukë.


Ismail Kadare adhuronte gardistët e kuq kinezë

Kadare, gjatë këtij qendrimi të shkurtër në Kinë, është maoi­zuar aq shumë saqë Kinën tradicionale, trashëgiminë kulturale dhe historike kineze, që e ka bërë këtë vend të famshëm në botë, e shikon me syrin e një gardisti të kuq:
«Bota e vjetër kineze. Një botë e madhe, e komplikuar. Ajo ka histo­rinë e saj, luftërat e saj, kronikat librat, tingujt e saj, përbindëshat, tempujt, gjar­përinjtë, konvencionet, varret e saj. E lindur dhe e formuar në thellësitë e shekujve ajo sjell në kohën tonë frymën e saj të lashtë, një jehonë të shurdhër të kohërave që shkuan».[18]
Por Kadare historinë, kulturën dhe qytetërimin kinez i quan «botë e vjetër». Kundër kësaj trashëgimie kulturale dhe histo­rike kineze qe drejtuar i ashtuquajturi Revolucion Kultural Kinez.Kadare shkruan:
«Më pëlqen të shëtis nëpër rrugën më të gjallë të Pekinit. Kjo rrugë fillon 200 m larg hotel ‘Pekinit’. Më parë quhej rruga ‘Konfuçi’. Gardistët e kuq e hoqën tabelën e vjetër me emrin e filozofit idealist dhe i vunë emrin e një qendre ilegale revolucio­nare të kohës së luftës».[19]
Ja pra, kjo qe vepra e gardistëve të kuq dhe epitomë e asaj që ndodhi në Kinë gjatë Revolucionit Kultural, që Konfuçi, filozofi i famshëm kinez, t’ia lëshonte vendin një grupi anonimësh revolucionarë maoistë. Fatin e tabelës së rrugës me emrin e Kon­fuçit e patën dhe shumë tempuj, teatro, biblioteka, arkiva, shtëpi tradicionale, vepra arti etj., të cilat u shkatërruan barba­risht.
Më tutje Kadare, e mësyn me tërbim trashëgiminë kulturale kineze, me gjuhën e një gardisti të kuq:
«Intelektualët kinezë ngulnin këmbë që e gjithë kjo botë e vjetër të riprodhohej në librat, në skenat, në tablotë e kohës së socializmit, ashtu siç ish riprodhuar gjithmonë në librat, skenat dhe tablotë e borgjezisë, po me atë tendencë, po me atë simpati. Kështu ndodhi që kjo botë e përmbysur nga bajoneta e revolu­cionit, të kthehej dalë­ngadalë, fshehurazi dhe me qetësi në skenat e operës së Pekinit, në dramat, në tablotë, në romanet. U kthyen me radhë pera­ndorët, gjeneralët, princeshat e bukura, magjistarët, priftërinjtë. Armiqtë e popullit kinez, ata që ishin zhveshur nga fuqia dhe pushteti, ish-oficerat e perandorit e të Çankaishisë, ish-feudalët, ish-ministrat, ish-gjeneralët, vinin në mbrëmje në teatër dhe psherëtinin tek shikonin në skenë, të gjallë si gjithmonë botën e tyre. Përjashta populli kinez i udhë­hequr nga Mao Ce Duni, e kishte bërë pluhur e hi këtë botë, por bre­nda teatrove dhe skenave ajo ishte akoma zot. Përkundrazi bota proletare e ndje­nte veten ngushtë në këto teatro. Ajo s’futej dot këtu, rrinte përjashta, siç kishte qëndruar gjithmonë».[20]
Si një gardist i kuq shembullor, Ismail Kadare lëshon një britmë triumfale:
«Por furtuna e revolucionit të madh kultural e përmbysi këtë gjendje. Ashtu siç u sulmuan dhe u morën me sulm në luftë fortifikatat e armikut, ashtu u sulmuan dhe u morën me sulm, opera e Pekinit, teatri, piktura, letërsia».[21]
Me këto fjalë Kadare e meriton të marrë titullin «Nderi i Bar­barëve», jo «Nderi i Kombit» që i është akorduar në Shqi­përi, pasi asnjë shkrimtar ose intelektual normal nuk do të ngazëllente nëse do t’i takonte të bëhej dëshmitari i një spek­takli makabër, si ky i Revolucionit Kultural Kinez, kur orga­nizohet një fushatë dhune nga vetë shteti për të shkatërruar trashëgimia kulturale të vendit të vet.
Më mirë se sa e bën Kadare më lart, as vetë Enver Hoxha nuk ka arritur që ta përcaktojë Revolucionin Kultural Kinez. Enver Hoxha, në kongresin VI të PPSH, do të thoshte:
«Fitorja vendimtare e historike e vijës revolucionare prole­tare të krye­tarit Mao Ce Dun mbi vijën reaksionare bor­gjeze të renegatit Liu Shao Çi, që u kurorëzua e u sanksionua në kongre­sin 9 të Partisë Komuniste të Kinës, ka forcuar edhe më shumë unitetin revolucionar të partisë, ka konsoliduar pozitën e dik­taturës së proletariatit, ka ngritur edhe më lart frymën revo­lucionare luftarake në vend, i ka hapur popullit kinez perspek­tiva të shkël­qyera për të ardhmen e tij socialiste».[22]
Kadare, gjithë gëzim, thotë se tashmë, po të duash të shikosh objektet dhe dokumentet me vlerë historike të «ish-klasave sunduese» kineze, duhet të shkosh në Muzeun e Gardistëve të Kuq, ku gjenden këto sende pasi u rrëmbyen si trofe revo­lu­cionare nga gardistët e kuq:
«Tani, po të shkosh për të vizituar muzeun e gardistëve të kuq, do të shikosh fytyrën e vërtetë të atyre ‘artdashësve’, që psherëtinin kur hynin në operën e Pekinit. Togje të mëdha flo­riri të zbuluara në shtëpitë e tyre, shpata, revolverë, pushkë, tapi ku janë shënuar kufitë e pronave, grada, uniforma, filma 8 mm, ku tregohet historia dhe ‘lavdia’ e famil­jes, manjetofona me zërat e atyre që kanë vdekur (që u lenë amanet bijve mos të harrojnë pronat etj., etj.».[23]
Pra, historia kineze qenka zhvendosur në Muzeun e Gar­distëve të Kuq në atë periudhë të errët të Revolucionit Kultural. Kadare bërtet: «Ç’hakmarrje të tmerrshme do të bënin mbi popullin, po t’u vinte rasti, këta ‘artdashës’ që psherëtijnë».[24]
Por në rast se këta njerëz do të kishin qenë kaq mizorë, atë­here Mao Ce Duni nuk do të kishte ardhur dot në pushtet në Kinë. Si për të justifikuar terrorin e gardistëve të kuq, Kadare thotë:
«Ja një gardiste e vogël, e plagosur prej tyre gjatë revo­lucionit kultural. Ajo flet përpara popullit, tregon si e goditën me sëpatë. Trupin e ka gjithë plagë, kokën të lidhur me fasho, duart të lidhura me fasho, dy gardistë të tjerë e mbajnë nga kra­hët që të mos rrëzohet. Po ç’janë plagët e kësaj gardisteje të vogël përpara plagëve që ëndërronin t’i hapnin ata popullit kinez?»[25]
Kadare më lart na ka thënë se shtëpitë e «reaksionarëve» janë invaduar dhe grabitur. Atëhere, a kishin këta njerëz të drejtë të mbronin shtëpitë e tyre nga invazioni që iu bë për t’i grabitur, siç thotë vetë Kadare më lart. Shumësia e tyre nuk e ushtruan këtë të drejtë natyrale njerëzore. Në rast se ndonjëri prej tyre qenka treguar aq burrë sa të rrëmbejë sopatën e t’i mësyjë gardistët e kuq, atij i lumtë. Çfarë do të bënte Kadare sikur haj­dutët ta mësyjnë për ta grabitur shtëpinë e vet në Paris, ose vilën në fshatin turistik në Golem? Do të mbrohej me ç’t’i vinte për dorë apo jo?
Gardistët e kuq kryen një genocid të vërtetë, duke vrarë një numër shumë të madh njerëzish. Ata kishin licencë për vrasje nga regjimi. Ministri i Sigurimit të Shtetit Xie Fu Zhi, në vitin 1967, kur Kadare qe për vizitë në Kinë, shprehej:
«Gardistët e kuq që vrasin a duhet të ndëshkohen. Opinioni im është se nëse janë vrarë njerëz, eh mirë, ata janë vrarë, ky nuk është problemi ynë».[26]
Paraardhësi i Xie Fu Zhi ishte qëlluar me armë nga gardistët e kuq dhe ishte hedhur nga dritarja i plagosur për të shpëtuar, por ishte kapur dhe ishte futur në një laogai (kamp përqendrimi kinez), ku ishte torturuar dhe mbajtur deri pas vdekjes së Mao Ce Dunit. Gardistët e kuq Kadare i paraqet si engjëj të vegjël të revolucionit, që shpesh u bënë viktima të reaksionit borgjez dhe revizionist. E vërteta është se gardistët e kuq fëmijë qenë indok­trinuar për t’u shndërruar në robotë-monstra, që bënë krime të tmerrshme. Një dëshmi e përfshirë tek «Libri i Zi i Komu­niz­mit» e zbulon të vërtetën e gardistëve të kuq fëmijë. Atje tre­go­het sesi gardistët e kuq në një shkollë i terrorizuan mësuesit e tyre:
«Në terrenin sportiv edhe më larg, përpara godinës së re të shkollës me tre kate, pashë rreth 40-50 profesorë, të vendosur në radhë. Kokën dhe fytyrën e kishin të spërkatur me bojë të zezë, pasi ata duhej të dukeshin se ishin një ‘bandë e zezë’. Ata mbanin të varur në qafën e tyre tabela me mbishkrimet ‘auto­ritet akademik reaksionar Untel’, ‘armiku i klasës Untel’, ‘duke mbajtur rrugën kapitaliste Untel’, ‘Untel, shef i korruptuar i bandës’. Të gjitha parullat ishin marrë nga gazetat. Çdo tabelë ishte e shënuar me një kryq të kuq që u jepte profesorëve pam­jen e të burgosurve të dënuar me vdekje në pritje të ekzekutimit. Të gjithë kishin në kokë kapele me pamje gomari mbi të cilat ishin pikturuar epitete të ngjashme me tabelat dhe mbanin në kurriz fshesa të pista, lecka për të fshirë pluhurat dhe këpucët.
Gjithashtu në qafë kishin varur kova të mbushura me gurë. Unë dallova drejtorin: kova e tij ishte aq e rëndë sa doreza metalike i kishte krijuar një vizë të thellë në qafë dhe ai tundej. Të gjithë ishin zbathur. Ata u binin tenxhereve që mbanin në duar dhe silleshin rreth oborrit duke bërtitur: ‘unë jam gangsteri Untel’.
Së fundi ata u ulën në gjunjë, i thurnin lëvdata Maos dhe luteshin ‘t’i falte krimet e tyre’... Rrahjet dhe torturat vazhduan. Nuk kisha parë kurrë tortura të tilla. Ata i detyruan të hanë materiale fekale dhe insekte, t’u nënshtroheshin goditjeve elektrike, të ulen në gjunjë mbi xhama të thyer. Të parët që morën shkopinjtë dhe i torturuan ishin më të egrit e shkollës, fëmijët e kuadrove të partisë dhe oficerëve të ushtrisë... Të nxi­tur nga provokatorët nxënësit e tjerë ulërinin: ‘I rrihni!’ dhe hidhe­shin mbi profesorët duke i qëlluar me grushte dhe shqelma. Goditja më e rëndë për mua këtë ditë, ishte vdekja e profesorit tim të dashur Cen Ku Teh, për të cilin ushqeja dashuri dhe res­pekt. Profesorin Cen, 60 vjeç që vuante nga hiperten­sioni, në orën 11 e 30 e tërhoqën zvarrë dhe e nxorën jashtë. E lanë në diellin e verës më shumë se dy orë dhe më pas e dety­ruan të ecte së bashku me të tjerët, duke mbajtur në dorë një tabelë dhe duke i rënë çangës. Më pas e tërhoqën zvarrë në katin e parë të ndërtesës së shkollës, e zbritën poshtë dhe gjatë rrugës e qëllonin me grushta dhe me bishtin e fshesës. Në katin e parë, disa nga agresorët u futën në një klasë, morën shkopinj bambuje me të cilët filluan të qëllojnë përsëri. Duke iu lutur u thashë:
- Është shumë i sëmurë, e lini të qetë!
Ai humbiste ndjenjat, por ata e sillnin në vete duke i hedhur ujë në fytyrë. Më pas ai lëvizte me vështirësi. Këmbët i kishte të çara nga xhamat dhe të gërvishtura, nga gjembat, por shpirti i tij ende ishte gjallë.
- Pse nuk më vrisni? - Bërtiste ai. - Më vrisni!
Kjo vazhdoi gjashtë orë derisa ai humbi kontrollin e jashtë­qitjes. Torturuesit u munduan t’i fusin një shkop në rektum. Ai u ra për herë të fundit. Ata i hodhën edhe një herë ujë të ftohtë, por ishte shumë vonë».[27]
Ky episod barbar është domethënës dhe Kadare sigurisht që ka parë shumë të tillë gjatë qëndrimit në Kinë, por ai nuk i përshkruan ato, çka përbën një akt korrupsioni moral. Një gjah i parapëlqyer për gardistët e kuq, në fushatën kundër intelektua­lëve, qenë shkrimtarët. Kadare e justifikon persekutimin e shkrim­­­tarëve kinezë në termat e gardistëve të kuq:
«Disa shkrimtarë kinezë merrnin honorare jashtëzakonisht të mëdha. Çu-Juani dhe Lu-Di-Nini, flamurtarë të vijës së zezë anti­parti në frontin e kulturës dhe të artit nxitnin rritjen e honora­reve. Shkrimtarët tanë duhet të marrin dhe më tepër, thoshin ata. Shkrimtarët tanë duhet të jetojnë në lluks. Shkrimtarët që merr­nin honorare vigane, me jetën e tyre borgjeze, infektonin të rinjtë. Ata imitonin jetën e pasur të perandorëve dhe të gjenera­lëve. Disa shembuj. Për roma­nin ‘Mbrojtja e Jenanit’ është paguar një honoral prej 100.000 juen (rreth gjashtë milionë e gjysmë lekë). Shkrimtari me prej­ardhje borgjeze Bao Ci ishte një nga shkrimtarët e preferuar nga Çu-Juani. Ai bënte një jetë shumë lluksoze. Ndërsa fshatarët e Taxhait mbartnin tokën në krahë me kosha për ta kthyer shkre­tëtirën në tarracë, Bao Ci jetonte në shtëpinë e tij madhë­shtore. Ai kishte veturë perso­nale, disa shërbëtorë, 300 mijë juen (rreth 20 milionë lekë) në librezë të kursimit».[28]
Shkrimtarët qenë shënjestra e para­pël­qyer e gardistëve të kuq. Keqtrajtimi i tyre përshkruhet kështu nga një dëshmitar, dëshmia e të cilit paraqitet tek «Libri i Zi i Komu­nizmit»:
«Shkrimtarët e vjetër bëjnë, për shumë orë, rru­gën deri në stërmundim, përpara studentëve që i ofendojnë. Ata shëtisin në rrugë me kapele gomari në kokë dhe shpesh qëllohen bile edhe fort. Disa vdesin, shumë vrasin veten, si në gusht shkrim­­tari i madh Lao She, ose në shtator Fu Lei, përkthyesi i Balzakut dhe i Malarmesë. Ten To vritet, Hu Huan, Çao Shu Li dhe Liu Cing vdesin në izolim».[29]
Kadare sigurisht që ka parë shumë skena të tilla gjatë vizitës së vet në Kinë, por ai hesht për to, se misioni i tij qe tjetër. Sa tallje mizore duhet të ketë qenë për shkrimtarët kinezë të keq­trajtuar nga gardistët e kuq, pasi këta shkrimtarë, kur kanë mësuar se këto skena po i shihte një shkrimtar europian kanë shpresuar se ai do ta ngrinte zërin në mbrojtje të tyre. Por, Kadare i fyeu dhe i poshtëroi ata me fjalorin e gardistëve të kuq.
Sesi duhet të jetonte një shkrimtar komunist kjo qe një çështje e diskutueshme. Problemi në këtë rast është se vetë Kadare bënte në kohën e komunizmit një jetë shumë më luksoze se ky shkrim­tari kinez Bao Ci. Kadare eviton që ta krahasojë në këtë rast jete­sën e Bao Ci me atë të vetvetes. Kadare nuk thotë se si qenë hono­raret e vetë Kadaresë në krahasim me ato të Bao Ci. Edhe Kadare kishte makinë personale si deputet i Kuvendit Popullor, si dhe shofer dhe shërbëtor. Nëse shtëpia e Bao Ci qe madhështore për kushtet në të cilat jetonin kinezët në kohën e komunizmit, jo më pak e tillë qe shtëpia e Kadaresë në kushtet e Shqipërisë së kohës.
Pastaj Kadare bënte shpenzime shumë të mëdha në udhë­timet e veta jashtë vendit, në Perëndim, ku ai filloi të shkonte shpesh që nga viti 1962, kur udhëtoi në Skandinavi, për të shkuar më pas shumë herë në Francë, SHBA, Itali, Gjermani (Gjerma­ninë Perëndimore), Austri, Suedi, Greqi etj. Në këto udhëtime Kada­resë, me porosi të veçantë të Enver Hoxhës, i mundësohej nga shteti shqiptar qëndrimi në hotele luksoze dhe ushqimi në resto­rante luksoze. Enver Hoxha njëherë i qortoi ashpër zyrtarët përka­tësshqiptarë kur mësoi se në një rast kur Kadare dhe shkrimtari nobelist sovjetik Shollohov patën qenë në të njëjtën kohë për vizitë në një kryeqytet perëndimor dhe Kadare kishte qëndruar në një hotel më pak luksoz se ai ku qëndroi Kadare. Hoxha atëhere tha se niveli i jetesës së Kadaresë gjatë qëndrimit të tij në Perëndim është çështje prestigji për partinë dhe shtetin shqiptar.
Duke konsideruar këtë kuptohet se gjatë një udhëtimi në Perë­ndim Kadare shpenzonte më tepër se shuma prej 20 milionë lekësh që kishte në bankë shkrimtari kinez Bao Ci, që për Kada­renë është një skandal i madh. Se në ç’masë shpenzimet e Kada­resë mbuloheshin nga shitja e librave të tij në Perëndim, këtë do ta mësojmë kur Kadare të na bëjë të zbulojë sekretin e vet sfinksi, tirazhin në të cilin janë botuar librat e tij në Perëndim.
Në Kinë Kadare zbulon dhe heroin e vet. Si për të shprehur më tepër përbuzjen e vet për heronjtë tradicionalë kinezë aristo­kratë e gjeneralë, Kadare midis kinezëve veçon si një hero të parapëlqyer, të zbuluar prej tij, një njeri që simbolizonte të kundërtën e heronjve tradicionalë kinezë. Heroi i Kadaresë është ushtari i thjeshtë Çan Shao Ven, i cili madje nuk është tamam ushtar pasi në ushtri shërben si një rritës derrash. Çan Shao Ven, që është një klonim i Lej Fenit, ia tregoi vetë histo­rinë e tij Kadaresë në një repart ushtarak në Pekin. Ja se si e përshkruan Kadare këtë hero kinez:
«Çan Shao Veni mbaroi shkollën e mesme dhe hyri në ushtri. Kjo ishte ëndrra e tij më e madhe. Ai ëndërronte heroi­zma, ai ëndërronte furtuna. Ai mendonte të bëhej së paku tan­kist».[30]
Deri këtu ky heroi i Kadaresë ngjan me Lej Fenin, i cili gji­thashtu qe ushtar dhe qe i lumtur që ishte ushtar i Kinës revo­lucionare. Kadare na e përshkruan kështu dramën e jetës së Çan Shao Venit:
«Por, kur arriti në regjiment, ushtarin e ri e priti një dësh­përim i befasishëm. E caktuan rritës derrash. U bënë pluhur e hi ëndrrat e lavdishme. Në vend të tankseve, derrkucat. Në vend të zhurmës së motorrit hungëritja e derrkucave. ‘Ah, vate lavdia jote, Çan Shao Ven’ mendonte ai dhe zinte kokën me duar. Në kokën e tij filloi lufta ideologjike».[31]
Kadare më tutje thotë:
«Në mbrëmje e thirri komisari politik. E pa në fytyrë. E që po vuante. I dha të lexojë një broshurë. Ishte broshura e krye­tarit Mao ‘T’i shërbejmë popullit’... Koka e Çan Shao Venit filloi të ziente. E lexoi broshurën një herë, dy herë, tri. Gjumë s’kishte fare. U sëmur një derrkuc. I ndenjti te koka. Në fillim desh ta braktiste, po pastaj u pendua. E pse qenka turp të rrish natën në një stallë derrash, diku në një qoshe të humbur të Kinës së Madhe? Dhe ai ndenji gjersa derrkuci u shërua».[32]
Sigurisht që kinezët kishin rritur derra që shumë shekuj para se të lindte Mao Ce Duni dhe nuk qe e nevojshme që një i ri fsha­tar kinez të lexonte librat e Maos për t’u bindur që të rriste derrat. Preokupimi më i madh për Çan Shao Venin qe se si do të reagonte e fejuara kur ta merrte vesh se atë e kishin emëruar rritës derrash. Me siguri që do ta linte. Dhe takimin e këtij ushtari kinez me të fejuarën Kadare e përshkruan kështu:
«Ajo erdhi gjithë gëzim, gjithë mall.
- Po si je? Si shkon? Nuk më the se në çfarë arme shërben në ushtri?
- Po bëj një punë shumë të lavdishme, rris derra për revo­lucionarët.
- Pse flet me ironi - tha ajo - Kjo është vërtet një punë e lav­di­shme. E ke lexuar broshurën e kryetarit Mao: ‘T’i shërbejmë popullit’?»[33]
Profesioni i rritësit të derrave është një punë që bëhet kudo në botë dhe ata që e bëjnë respektohen si çdo njeri që punon, por që ta quash rritjen e derrave si një gjë të lavdishme kjo është një tallje e dyfishtë, me rritësit e derrave dhe ata që bëjnë gjëra vërtet të lavdishme.
Kadare e mbyll rrëfimin e vet për këtë hero kinez kështu:
«Kështu filloi riedukimi i plotë i ushtarit të thjeshtë Çao Shi Ven. Ai na e tregoi vetë historinë e tij, në një regjiment në peri­feri të Pekinit. Ai tregonte bukur. Ne na preku thjeshtësia e tij, sinqeriteti i tij».[34]
Gjatë vizitës së vet në Kinë Kadare shkoi sigurisht dhe tek muri i Madh Kinez, siç bën pothuajse çdo i huaj që ka vizituar Kinën:
«Arritëm te Muri i Madh. Befas m’u duk se po dëgjoj fyejt e mijëra poetëve që po këndojnë vetminë e ushtarëve majë kullave të larta, dimrin me dëborë, shkretinë e stepave nga ku pritet të shfaqen orë e çast barbarët».[35]
Barbarët tashmë e kishin pushtuar Kinën dhe Murin e Madh dhe barbarët qenë pikërisht revolucionarët maoistë, ata që Kadare i përshkruan kështu:
«Tani mbi murin e madh valaviten flamujt e kuq. Mijëra gar­distë të kuq hipin e zbresin nëpër shkallinat e gurta, bëjnë foto­grafi përpara kullave dhe frëngjive të panumërta, këndojnë kën­gën ‘Lundrimi në det varet nga timonieri’».[36]
Timonieri qe sigurisht Mao Ce Duni, që e kishte drejtuar ani­jen e shtetit kinez në kaos, ku e kishte ndjekur edhe «barka», Shqipëria e Enver Hoxhës. Kadare kishte shkuar në Kinë që këtë katastrofë t’ua paraqiste shqiptarëve si mrekulli të cilën ua kishte zili bota.
Që nga maja e Murit të Madh Kinez Kadare frymëzohet nga ideja e shprehur nga Enver Hoxha, në Kongresin V të PPSH: «Në këtë luftë të madhe për jetë a vdekje midis popujve dhe imperializmit e gjithë shërbëtorëve të tij, nga e cila varet fati i njerëzimit, një rol vendimtar lot Republika Popullore e Kinës dhe Partia e saj e lavdishme Komuniste. Kina Popullore është sot kështjella e pathyeshme e socializmit dhe e revolucionit në botë, mbështetja e fuqishme e besnike e popujve dhe e luftërave të tyre çlirimtare e revolucionare».[37]
Këtë ide të Enver Hoxhës mbi Kinën-kështjellë të revolucio­nit komunist, Kadare e sofistikon kështu, duke medituar mbi Murin e Madh kinez:
«Ku janë gjeneralët e tmerrshëm me shpa­tat dhe xhufkat e arta, ku janë procesionet madhështore, lajmë­tarët e shpejtë me kuaj të bardhë, flijimet madhështore përpara betejave, zjarret e alar­meve majë kullave? Kina s’ka më nevojë për këtë madhështi të rreme. Këta gardistë të kuq janë më të pakapërcye­shëm se çdo mur, më madhështorë se çdo procesion gjeneralësh, më të tmerr­shëm se armiqtë, se gjithfarë shpatash të zbukuruara me koka përbindëshash e gjarpërinjsh».[38]
Dhe Kadare shton:
«Ushta­rët e kuq dhe gardistët e kuq janë muri i vërtetë i Kinës. Ata kanë me vete një libër të kuq, librin e Maos. Me push­kën dhe me këtë libër në dorë, ata janë të pathyeshëm. Te Muri i Madh, njëri pas tjetrit heshtin fyejt e trishtuar të poetëve të moçëm. Mbi kullat pranë frëngjive, poshtë e lart shkallinave të gurta, gjëmon kënga e re proletare ‘Lindja është e kuqe’».[39]
Pasi është kujdesur që t’u japë shembuj frymëzimi kineze të gjitha grupeve të shoqërisë shqiptare, që nga fëmijët, ushtarët, shkrimtarët etj., Kadare kujdeset që t’u japë një mësim edhe oficerëve shqiptarë, të cilët në atë kohë ishin të pakënaqur për shkak të heqjes së gradave, që ishte bërë një viti më parë, nën shembullin e një kinezërie të Revolucionit Kultural:
«Njëherë tjetër në kufirin kino-vietnamez ne qëndruam më tepër se një orë në tavolinën e bukës me një ushtarak. Nga mënyra se si fliste, si rrinte dhe si buzëqeshte, ti mund të men­doje se ishte ndonjë komandant skuadre, e shumta kompanie. Kurse ai ishte Komandanti i kufirit kino-vietnamez. Ky njeri i qetë dhe fare i thjeshtë, ishte ai që, në rast lufte, do të merrte i pari goditjen e tmerrshme dhe që njëkohësisht do të jepte i pari kundërgoditjen akoma më të tmerrshme. Ç’është ai përpara gje­ne­ralëve borgjezë me nishane e uniforma madhështore, me gjeste e binokle të çuditshme, do të thotë ndonjë snob. Kurse ne themi: ç’janë ata përpara tij?»[40]
Me këtë Kadare së pari kërkon t’u thotë oficerëve shqiptarë, të cilët e ndjenë veten të poshtëruar pasi regjimi komunist shqiptar, duke ndjekur shembullin e Mao Ce Dunit, u hoqi gra­dat, se duhet të mësonin nga ky ushtarak i lartë kinez, që ndihej i lumtur se, edhe pse komandonte një armatë, nuk dallohej nga një komandant skuadre. Kjo qe mendësia e Lej Fenit që Enver Hoxha në atë kohë po e fuste dhe në ushtrinë dhe krejt shoqë­rinë shqiptare.
Gjithashtu, Kadare, me rrëfimin e mësipërm për këtë koman­dant kinez, kërkon sigurisht të mbështesë dhe fjalët e Enver Hoxhës në Kongresin V të PPSH, në vitin 1966, një vit para vizitës së Kadaresë në Kinë, mbi fuqinë e pamposhtur të Kinës komuniste:
«Zhvillimi i ngjarjeve ndërkombëtare në këto vitet e fundit vërteton në mënyrë bindëse se imperializmi amerikan e ka drej­tuar strategjinë e tij globale kundër Repubklikës Popu­llore të Kinës - kësaj fuqie të madhe socialiste, që mban lart flamurin e revolucionit dhe të luftës kundër imperializmit. Por të gjitha orvatjet armiqësore të imperializmit amerikan, të for­cave të ndryshme reaksionare dhe të klikës renegate hrusho­viane kun­dër Republikës së madhe Popullore të Kinës kanë pësuar e do të pësojnë kurdoherë dështim të plotë përpara forcës së pathye­shme ekonomike, politike, ushtarake e morale të popullit 700-milionësh kinez të bashkuar si një trup i vetëm rreth Partisë së lavdishme Komuniste të Kinës me në krye sho­kun Mao Ce Dun».[41]
Më tutje, në këtë shkrim, Kadare përshkruan mbresat e veta nga Shangai:
«Furtuna e janarit’ kështu e quajnë këtu revolucionin e madh kultural proletar. Të dy milionë punëtorët e Shangait u ngritën për­sëri në këmbë nën thirrjen e Mao Ce Dunit, nën thirrjen e komu­nizmit. Shangai u tund përsëri; u tund Kina, u tund bota».[42]
Në Shangai Revolucioni Kultural mori përmasa veçanërisht të përbindshme, pasi atje qe bastioni i gruas së Maos, Çian Çin, që drejtonte këtë utopi barbare. Edhe në Shangai Kadare nuk ngopet dot me mrekullitë e Kinës maoiste të kohës së Revolu­cionit Kultural:
«- Shëtisim akoma? - pyesin shokët kinezë.
- Me kënaqësi.
- Çajmë përmes këtë det dritash, sirenash, betoni, dacibaosh me emrin oqeanik ‘Shangaj’».[43]
Kadaresë nuk i hiqen nga mendja dacibaot kineze. Shpresoj se ato nuk i shfaqen ende dhe në vitrinat e Parisit.
I gjithë shkrimi i mësipërm i Kadaresë është konceptuar si ilustrim i pikëpamjes që regjimi komunist shqiptar kishte për Revolucionin kultural Kinez dhe i gjithë ky shkrim i Kadaresë mundet fare mirë të zëvendësohet me këtë citat të Enver Ho­xhës:
«Partia dhe populli ynë gëzohen pa masë dhe përshë­ndesin me gjithë zemër fitoret e shkëlqyera që populli vëlla kinez, nën udhëheqjen e partisë së tij të lavdishme komuniste dhe të krye­tarit Mao Ce Dun, të arritura në Revolucionin e madh kultural proletar dhe në ndërtimin e socializmit».[44]
Ose e kundërta, citati i Enver Hoxhës, të zëvendësohej me këtë shkrim të Kadaresë. A nuk i duket Kadaresë se ka obli­gimin që t’u kërkojë faljeve shqiptarëve për këto gjëra mons­truoze që u ka thënë, duke u paraqitur si model të mreku­llue­shëm për shoqërinë dhe krejt jetën utopinë barbare maoiste kineze? Kadare nuk mund të justifikohet duke thënë se ai nuk e dinte çfarë po thoshte, se aq dinte dhe aq thoshte, pasi ai në ndërkohë kishte parë veç Kinës maoiste, edhe Bashkimin Sovje­tik, por edhe disa vende perëndimore si Finlandën, Danimarkën, ku kishte qenë që në vitin 1962. Një njeri që ka parë Finlandën dhe Danimarkën duhet që të jetë mjaft hipokrit, cinik dhe amo­ral, që t’ua përshkruajë shqiptarëve kinën maoiste me kaq adhu­rim si një model që duhet ndjekur, jo vetëm nga Shqipëria, por nga gjithë bota.


[1] Ismail Kadare: «Linja të largëta», «Naim Frashëri», Tiranë, 1971, f. 8.
[2] Enver Hoxha: «Raport në Kongresin V të PPSH», «Naim Frashëri», Tiranë, 1966, f. 33.

[3] Ismail Kadare: «Linja të largëta», «Naim Frashëri», Tiranë, 1971, fq. 5-6.
[4] Enver Hoxha: «Brezi ynë i ri marshon në rrugën revolucionare të Partisë», «Naim Frashëri», Tiranë, 1968, fq. 24-25.
[5] Ismail Kadare: «Linja të largëta», «Naim Frashëri», Tiranë, 1971, f. 6.

[6] Enver Hoxha: «Brezi ynë i ri marshon në rrugën revolucionare të Partisë», «Naim Frashëri», Tiranë, 1968, f. 24.

[7] «Letër e Hapur e Komitetit Qendror të PPSH», «Naim Frashëri», Tiranë, 1966, fq. 16-17.

[8] Ismail Kadare: «Linja të largëta», «Naim Frashëri», Tiranë, 1971, f. 7.
[9] Po aty, f. 7.
[10] «Letër e Hapur e Komitetit Qendror të PPSH», «Naim Frashëri», Tiranë, 1966, f. 16-17.

[11] Po aty, f. 14.

[12] Ismail Kadare: «Linja të largëta», «Naim Frashëri», Tiranë, 1971, f. 7.
[13] Po aty, f. 8.
[14] Po aty, f. 9.
[15] Po aty.

[16] Po aty, f. 10.
[17] Po aty, f. 11.

[18] Po aty, f. 11.
[19] Po aty, f. 9.

[20] Po aty, f. 12.
[21] Po aty.

[22] Enver Hoxha: «Raport në Kongresin VI të PPSH», «Naim Frashëri», Tiranë, 1971, f. 45.
[23] Ismail Kadare: «Linja të largëta», «Naim Frashëri», Tiranë, 1971, fq. 12-13.
[24] Po aty, f. 13.

[25] Po aty.
[26] «Libri i Zi i Komunizmit», «Besa», Tiranë, 2002, f. 403.

[27] Po aty, fq. 406-407.
[28] Ismail Kadare: «Linja të largëta», «Naim Frashëri», Tiranë, 1971, f. 13.

[29] «Libri i Zi i Komunizmit», «Besa», Tiranë, 2002, f. 404.

[30] Ismail Kadare: «Linja të largëta», «Naim Frashëri», Tiranë, 1971, f. 15.
[31] Po aty.

[32] Po aty, f. 16.
[33] Po aty.
[34] Po aty.
[35] Po aty, fq. 16-17.

[36] Po aty, f. 17.
[37] Enver Hoxha: «Raport në Kongresin V të PPSH», «Naim Frashëri», Tiranë, 1966, f. 45.
[38] Ismail Kadare: «Linja të largëta», «Naim Frashëri», Tiranë, 1971, f. 17.

[39] Po aty.
[40] Po aty, f. 10.

[41] Enver Hoxha: «Raport në Kongresin V të PPSH», «Naim Frashëri», Tiranë, 1966, f. 25-26.
[42] Ismail Kadare: «Linja të largëta», «Naim Frashëri», Tiranë, 1971, f. 18.
[43] Po aty, f. 19.

[44] Enver Hoxha: «Raport në Kongresin VI të PPSH», «Naim Frashëri», Tiranë, 1971, f. 45.