KUR ISMAIL KADARE DONTE T’I VINTE SUEDISË ZJARRIN E REVOLUCIONIT KOMUNIST






Ismail Kadare e ka vizituar shumë herë Suedinë në kohën e regjimit komunist, duke filluar që nga viti 1971. Qëllimi i këtyre vizitave nuk ka qenë vetëm obsesioni i Kadaresë dhe i regjimit komunist që Kadare të merrte Çmimin Nobel, që jepet në kryeqytetin suedez Stokholm nga Akademia Suedeze e Shkencave dhe Arteve. Një tjetër objektiv i udhëtimeve të shpeshta të Kada­resë në Suedi ka qenë dhe që të kontribuonte për kryerjen e një revolucioni komunist në Suedi, që do ta shndërronte Suedinë nga një vend kapitalist në një vend komunist. Në librin e Ismail Kadaresë «Emblema e dikurshme» (1977), që është një për­mble­dhje tregimesh, novelash dhe arti­kujsh është botuar shkrimi «Midis miqve të Shqipërisë», me nëntitull «Shënime udhëtimi nga Suedia». Ky shkrim, që përmban përshtypjet e Kadaresë nga një udhëtim në Suedi, në vitin 1975, është një artikull që për herë të parë është botuar në qershor 1975 tek «Zëri i Popullit», që atëhere qe organ i Komi­tetit Qendror të PPSH. Që në fillim të këtij shkrimi Kadare kërkon që t’i japë të kuptojë lexuesit shqip­tar të kohës se izolimi i Shqipërisë në kohën e regjimit komunist, nuk vinte nga dëshira e regjimit, por qe një fatalitet historik i gjithkohshëm për Shqipërinë, i ardhur nga dashakeqësia e të huaj­ve për Shqipërinë, ide kjo që Kadare e pati përpunuar më tepër tek romani «Kështjella»:
«Bllokada rreth një vendi, kuptimi i territ, i mosnjohjes, ka filozofinë, teorinë dhe praktikën e vet. Ashtu sikurse mënyrat e agresioneve të hapura, edhe kjo formë e fshehtë agresioni është përpunuar e rafinuar gjatë shekujve. Vendi ynë gjatë gjithë his­torisë së tij i ka provuar të dyja: agresionin e hapur, ndeshjen dhëmb për dhëmb me armiqtë, nga njëra anë, dhe heshtjen tin­zare, shurdhërinë, nga ana tjetër».[1]
Në këtë kontekst, Kadare i thotë lexuesit shqiptar të kohës se izolimi i Shqipërisë nuk bëhet nga regjimi komunist, por nga ven­det kapitaliste dhe revizioniste: «Disa shtete të sotme bor­gjeze dhe revizioniste nuk bëjnë ndonjë gjë të re kur përpiqen ta mbësh­tjellin me një sfungjer heshtjeje emrin e vendit dhe të Par­tisë sonë. Të gjitha këto janë metoda të njohura, të vjetra sa bota».[2]
Bukur, por në rast se Shqipëria qe nën bllokadën imperia­li­sto-revizioniste, siç kërkonin që t’ua mbushnin mendjen shqip­tarëve të rrethuar me tel me gjemba Enver Hoxha dhe Ismail Kadareja, atëhere si shpjegohet që Kadareja shkonte në Suedi, Francë dhe deri në SHBA në kohën e diktaturës komuniste? E vërteta është se për popullin shqiptar në atë kohë ekzistonte vetëm një bllokadë dhe kjo qe bllokada që i kishte bërë regjimi komunist, duke e rrethuar me tela me gjemba dhe duke e izoluar nga bota. Por për njerëzit si Kadareja regjimi bënte përjashtim. Kjo bëhej për dy arsye. Nga njëra anë që opinionit publik ndër­kombëtar t’i krijohej iluzioni i rremë se Shqipëria nuk qe vërtet ajo skëterrë diktatoriale e izoluar që thuhej, por atje kishte nje­rëz si Kadare, që dilnin «lirisht» në Perëndim, kur donin. Nga ana tjetër, këta njerëz si Kadare, që regjimi komunist i lejonte që të dilnin në Perëndim, kishin detyrë që t’i paraqisnin popullit shqi­p­tar një tablo të errët të Perëndimit, identike me atë që i kishte paraqitur propaganda e regjimit komunist. Kjo duhej të fuqi­zonte besimin e popullit tek kjo propagandë, në sensin që: Ja, edhe Kadare shkon në Perëndim dhe e tregon atë si një skë­terrë.
Regjimi komunist shqiptar kishte një dëshirë të madhe për t’i mbushur mendjen popullit shqiptar se Shqipëria nuk qe një vend i izoluar, por kishte shumë miq në botë, madje edhe në Perëndim, dhe si të tillë i paraqiste lloj lloj mostrash, aktivistë komunistë të partive fantazma komuniste në këto vende, që paguheshin nga Tirana zyrtare. Kadare, këta njerëz i krahason me kalorësit që vinin nga vendet perëndimore në kohën e Skënderbeut për të luftuar kundër turqve në krah të luftëtarëve shqiptarë: «Mirëpo, për fatin e tyre të keq, punët nuk kanë rrje­dhur kurrë siç kanë dashur këta njerëz të errësirës e të heshtjes. Kalorës nga të gjitha anët e Evropës, që nga Skandinavia e gjer në Gjibraltar, erdhën për të luftuar vullnetarisht në kështjellat e Skënderbeut... Vijnë prapë nga Skandinavia e nga Gjibraltari, dhe jo vetëm nga Evropa, por nga të pesë kontinentet e botës, miqtë e shumtë të Shqipërisë, dhe nuk janë më kalorës të vetmuar, por janë për­faqësues të mendimit dhe të veprimit revo­lucionar komunist, militantë të lëvizjes punëtore, personalitete të mendimit përpa­rimtar botëror».[3]
Por, në kohën e Skënderbeut Shqipëria qe pjesë e Perë­ndi­mit, që përfaqësonte ashtu si sot, qytetërimin më të zhvilluar të kohës. Luftëtarët vullnetarë perëndimorë që vinin në Shqi­përi, kryqtarët, qenë pjesë e aristokracisë perëndimore, dhe vinin këtu, pasi Shqipëria e kohës qe bërë digë që mbronte qytetëri­min perëndimor kristian nga dyndja barbare turko-islamike. Asnjë krahasim nuk mund të bëhet midis këtyre luftëtarëve perëndi­morë që vinin në Shqipëri në kohën e Skënderbeut dhe militan­tëve marksistë-leninistë miq të regjimit komunist shqip­tar që vinin në Shqipëri në kohën e komunizmit. Në kohën kur shkruan Kadareja, Perëndimi demokratik dhe kapitalist përfa­qësonte për­sëri qytetërimin e kohës, ndërsa barbarinë e përfaqë­sonte komu­nizmi. Dhe regjimi komunist e vuri Shqi­përinë në atë kohë, në anën e barbarisë kundër qytetërimit. Aktivistët marksistë-leni­ni­stë perëndimorë që vinin në Shqipëri në atë kohë qenë rene­gatë të qytetërimit të tyre, qenë «Hamza Kastrio­tët» e Perëndimit.
Veç kësaj, kur Kadare flet për kalorësit perëndimorë që vinin në Shqipëri në kohën e Skënderbeut për të luftuar turqit, siç e kam thënë edhe në fillim të këtij libri («Ismail Kadare, në një analizë personaliteti», fq. 18-19),  duhet ta dijë se paraardhësit e vet (të Kadaresë) në atë luftë kanë qenë në anën e turqve. Kadare është me origjinë nga Gjirokas­tra, por mbiemri «Kadare» ndryshon shumë nga mbiemrat e banorëve të Gjirokastrës që janë të prej­ardhur ose nga emra muslimanë, ose nga fjalë greke, trashëgimi e kohës bizantine. Mbiemri «Kadare» është praktikisht i njëjtë me atë të ish-liderit komunist hungarez, Kadar. Hungarezët origjinën e vet të her­shme e kanë nga Lindja e Largme, nga areali huno-turk (kur hun­garezët arritën së pari në Europë në shekullin X pas Krishtit, europianët i quajtën «turq»), pra nga e njëjta zonë nga ku u nisën edhe paraardhësit e turqve osmanë në dyndjen e vet që i çoi deri në zemër të Europës. Në kohën e okupimit osman në Shqipëri u ve­ndosën kolonë turq dhe, duke u nisur nga mbiemri, të tillë duhet të kenë qenë paraardhësit e Kadaresë në Gjiro­kastër, gjë që duket e sigurt pasi nuk ka asnjë rast që një familje shqip­tare e islami­zuar të ketë adoptuar si mbiemër një fjalë turke paraislamike.
Në vazhdim të shkrimit të vet, Kadare, paradoksalisht, pre­ten­don se Shqipëria, e cila gjatë gjithë historisë ka qenë e panjo­hur për Perëndimin, u bë e njohur pikërisht në kohën kur regjimi komunist e shndërroi në një vend të izoluar hermetikisht, në radhë të parë nga Perëndimi: «Mirëpo, pavarësisht nga fjala e mirë e njerëzve të shquar, në të kaluarën Shqipëria mbeti po­thuajse e panjohur për botën. Duhej të ndodhte përmbysja e madhe revolucio­nare, duhej të vihej në krye të popullit Partia, duhej që Shqipëria të bëhej socialiste, që emri i saj të çante i sigurt mjegullat e kohës, të bëhej me ‘vulë’, siç e ka shprehur populli idenë e njohjes së vendit në këngët e veta. Dhe Shqi­përia është bërë sot vërtet ‘me vulë’. Fjala e saj revolucionare, fjala e hapur dhe e sinqertë, fjala origjinale dhe e pavarur dëgjo­het kudo pikërisht sepse është e tillë».[4]
Shqipëria enveriane u bë e njohur botërisht dhe «me vulë», siç thotë Kadare, në po atë mënyrë siç është e njohur Koreja e Veriut sot. Atëhere opinioni ndërkombëtar kishte kureshtje për Shqipërinë, në po atë mënyrë siç mund të tregonte kureshtje për një rezervat ku një tribu vazhdonte të bënte jetën e vet primi­tive. Por, nëse tributë e bëjnë këtë gjë për arsye komerciale, për të tërhequr turistë, pra me fitim për gjithë komunitetin, regjimi komunist shqiptar e bënte këtë gjë për të ruajtur pushtetin e një klike, në dëm të komunitetit që supozohej të jetonte i lumtur në këtë shoqëri-gulag. Natyrisht që veç Klikës përfitonte dhe ndo­një njeri si Kadare, që praktikisht qe pjesë e Klikës.
Pasi krijon këtë atmosferë, Kadare fillon përshkrimin e vizi­tës së vet në Suedi: «S’ka se si të mos kujtohen të gjitha këto, kur bie në kontakt me miqtë e vendit tonë, brenda ose jashtë Atdheut. Një rast i tillë na u dha kohët e fundit kur, bashkë me shokun Llazar Siliqi, qëndruam ca kohë në Suedi si miq të miqve të Shqipërisë».[5]
Kadare mund të shkonte dhe të vizitonte Perëndimin si «mik i miqve», ndërsa shumë shqiptarë që i kishin të afërmit e vet në Perëndim, si dhe këta të fundit, nuk mund ta vizitonin njëri- tjetrin. Kjo ishte një nga gjërat për të cilat Shqipëria e asaj kohe qe e njohur në Perëndim. Më tutje Kadare, në të njëjtin shkrim, thotë: «Ndjesi kryesore gjatë udhëtimit në Suedi, ajo që ven­doste gjendjen tonë shpirtërore, qartësinë e të folurit, sigurinë, qetësinë, gjallërinë, bile edhe ritmin e të ecurit, me një fjalë gjith­­­çka që populli, në mënyrë të mrekullueshme e ka përmble­dhur në fjalët ‘të jesh ballëhapur’, ishin pikërisht pozita dhe dinjiteti i vendit tonë sot midis kombeve dhe revolucio­narëve të kohës sonë».[6]
Kur lexon këto rreshta të kujtohet personazhi i pavdekshëm i Konicës, Denizullu Serpe, prej «Katër përralla nga Zullulandi», që shkonte në Perëndim me bindjen e plotë se vendi i vet pri­mitiv afrikan qe dinjitoz në sytë e perëndimorëve. Kadare paska shkuar në Suedi si një Denizullu Serpe-Lej Fen enverist shqip­tar, i prirur që në çdo hap e veprim ta demonstronte militan­tiz­min revolucionar enverian para suedezëve kapitalistë. Në sensin që do t’i shprehte përshtypjet ky banor i xhunglës, Kadare shkruan:
«Shqipëria, si vend, si komb, si revolucion njihet jo vetëm në Suedi, por në gjithë zonën e gjerë skandi­nave. Është e gëzueshme ta vëresh dhe ta rivëresh këtë në çdo takim, në çdo aktivitet, në të gjitha qytetet ku na çojnë miqtë tanë. Nuk është fjala këtu vetëm për revolucionarët ose klar­teistët (anëtarët e shoqërisë studenteske ‘Klarte’), ose për aktivistët e shtëpisë botuese dhe librarisë ‘Oktober’ që na kishte ftuar; është fjala për një rreth shumë më të gjerë njerëzish, punëtorë, shkrimtarë, dokerë, zyrtarë, gazetarë etj. etj».[7]
Suedezëve dhe skandinavëve në përgjithësi, me siguri do t’i kenë bërë kureshtarë të ardhurit nga Shqipëria ultrastaliniste, në po atë mënyrë që do t’u bënte përshtypje anëtari i një tribuje të xhunglës që do të kalonte në rrugët e qytetit të tyre, me veshjen tradicionale të vet. Por, interes për shqiptarët e ardhur në Suedi dhe në vendet e tjera perëndimore nuk tregonte kurrkush tjetër veç militantëve marksistë-leninistë të paguar nga Tirana dhe Pekini. Më tutje, Kadare shkruan:
«Ata dinin shumë gjëra për Shqipërinë dhe vinin në takimet me ne për të mësuar akoma më shumë. Interesoheshin për his­torinë e vendit tonë dhe për historinë e Partisë sonë, për zhvi­llimin e kulturës, për lindjen e letërsisë e të artit të realizmit socialist gjatë Luftës Nacional­çlirimtare, për lidhjen e shkrim­tarëve me masat për luftën e artit tonë kundër artit dekadent të dy superfuqive, për vendin e klasës punëtore në kulturë, për luftën kundër burokratizmit».[8]
Çfarë mund të dinin vallë skandinavët për Shqipërinë. Që Shqipëria qe një vend i izoluar komunist, i vetmi vend që dekla­rohej haptazi dhe me krenari si stalinist midis vendeve komu­niste europiane, pra njëlloj ferri misterioz në mes të Europës. Kadare vazhdon:
«Në takimet e shumta emri dhe realiteti i ven­dit që ne për­faqësonim, krijonin një klimë të tillë, saqë nuk qëlloi të bëhej asnjë pyetje provokuese, ose thjesht për të bërë sensacion, me­gjithëse pothuajse në të gjitha takimet nuk mun­gonin gazetarë borgjezë. Respekti për vendin tonë ishte i tillë, saqë nga Fin­landa erdhi për të na takuar një delegacion i për­bashkët finlan­dezë dhe i Shoqatës Finlandë-Shqipëri».
Çfarë kuptonte Kadare me pyetje provokuese? Që Kadare mund të shkonte në Suedinë kapitaliste, ku sipas propagandës së regjimit komunist shqiptar populli nuk kishte të drejta reale, por false, e megjithatë, derisa në Suedinë kapitaliste Kadare mund të fliste si të donte për PPSH-në, Enver Hoxhën, mund të sugje­ronte leximin e librave të Enver Hoxhës, që shpërndaheshin lirisht në Suedi (siç do të tregoj më poshtë me citim nga Kadare), edhe pse në këto libra kërkohej përmbysja e sistemit politiko-ekonomik, që ishte në fuqi në Suedi, në Shqipërinë komu­niste, në rast se një vizitor perëndimor do të bënte të njëjtën gjë me litera­tu­rën e ashtuquajtur borgjeze, atëhere ai do të deklarohej si sub­ver­siv nga regjimi komunist dhe do të dëno­hej me burg, sigu­risht bashkë me shqiptarët që do të guxo­nin t’i merrnin këto libra, të cilët do ta pësonin edhe më keq duke përfunduar në pushkatim.
Ismail Kadare më tutje ia heq çdo kontroll fantazisë së vet, kur thotë:
«Dikush mund të mendojë se ndoshta këta skan­dinavët, pra edhe suedezët, me mirësjellje dhe çiltërsi tregojnë një respekt të tillë për çdo vend. Nuk është aspak kështu Para ca kohësh përfaqësuesi i një vendi i thoshte kështu një punonjësi të ambasadës sonë në Stokholm: ‘A mund të më njihni me ca për­faqësues të kulturës suedeze, sidomos me ca shkrimtarë, sepse kam vënë re që te ju vijnë personalitete e shkrimtarë të shquar, kurse te ne s’vjen pothuaj asnjë. Para ca kohësh në Suedi erdhi për vizitë Shollohovi, dhe ambasadori sovjetik dha një pritje për të. Por ajo s’ishte pritje por përshpirtje. Erdhën nja katër a pesë vetë; unë isha i ftuari i gjashtë. Mendova sikur të rastisë të na vijë ndonjë shkrimtar i njohur i vendit tim, mua mund të më ndodhte e njëjta gjë».[9]
Kjo që thotë Kadare për shkrimtarin e njohur rus (sovjetik) Shollohov, i cili në 1965, 10 vjet para kohës kur Kadare po i shkruante këto gjëra, kishte fituar Çmimin Nobel në letërsi, aq shumë të lakmuar nga Kadare, janë sigurisht të shkaktuara, jo vetëm nga fakti se Shollohov qe i papëlqyeshëm për regjimin komunist shqiptar, por edhe nga zilia e madhe që Kadare ndje­nte atëhere për Shollohovin që tashmë qe nobelist. Për Sho­llohovin Kadare në 1975 mund të thoshte çfarë të donte, por jo se qe një shkrimtar që nuk përfillej në Perëndim. Është krejt e pabesueshme ajo që thotë Kadare se në një pritje në ambasadën sovjetike në Stokholm, ku qe i pranishëm Shollohov, qenë të pranishëm vetëm katër suedezë. Aq më tepër kur dihet se Shollohov nuk qe vetëm një shkrimtar, por edhe një njeri i rëndësishëm politik. Në vitin 1961 Shollohov qe pranuar anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1959 Shollohov e shoqëroi Hrushovin gjatë vizitës së këtij të fundit në SHBA.
Kadare kërkon t’i bindë lexuesit se shkrimtarët më të shquar në Suedi janë ata komunistë:
«Në të vërtetë shkrimtarët sue­dezë, anëtarë të Partisë Komu­niste Suedeze, ose miq të Shqi­përisë jo vetëm që janë më përpa­rim­tarët, por ata janë edhe ndër më të shquarit në planin kombë­tar».[10]
Këtë përrallë vështirë se mund ta besonte kush edhe në Shqi­përinë e kohës dhe kjo qe një nga arsyet që ky shkrim i Kada­resë nuk u përfshi në botimin e dytë të librit «Emblema e dikur­shme» në vitin 1981. Kadareja i paraqet gjërat sikur në Suedi do­mi­­nonarti i realizmit socialist: «Këta shkrimtarë u bëjnë jehonë shumë problemeve të mprehta të shoqërisë së sotme suedeze, duke filluar nga tema e emigracionit në Veri, hedhja poshtë e iluzionit të ‘paqes shoqërore’, lufta kundër konformizmit me agre­­sorët e jashtëm, kundër kompromiseve me borgjezinë e madhe kapitaliste, kundër indiferentizmit, angazhimit në çësh­tjen e klasës punëtore etj.»[11]
Gjatë kohës që Kadare ndodhej në Suedi i takoi të qe festa e 1 majit, ditë kjo në të cilën në Tiranë bëhej parakalimi i fam­shëm i popullit para udhëheqjes komuniste. Derisa Kadare gjen­dej në Stokholm, ai e kishte humbur parakalimin atë vit. Por, Kadare, si një militant i mirë komunist, e bëri parakalimin e 1 majit, në mënyrë komuniste, në... Stokholm, së bashku me një grusht marksist-leninistësh suedezë:
«Ne asistuam në mani­fes­timin e 1 majit në kryeqytetin sue­dez. Midis demonstruesve të shumtë aty-këtu shikonim fytyra të njohura: marksistë-leni­nistë të ‘Klarte’-së, anëtarë të Shoqërisë Suedi-Shqipëri, punë­torë, shkrimtarë... Njeriu provon një ndje­një të pakrahasueshme me asgjë tjetër, kur shikon në kryeqy­tetin e një vendi të huaj, midis demonstruesve, parulla për vendin e tij: ‘Rroftë Partia e Punës e Shqipërisë!’, ‘Solidaritet me Shqipërinë socialiste!’, ‘Soli­­daritet me klasën punëtore të Shqipërisë që ndërton socia­lizmin!’»[12]
T’ua ketë treguar vallë Kadare sesi jetohej në Shqipërinë socialiste atyre pak trushkulurve suedezë që, nga njëra anë gëzo­nin të mirat e Suedisë, vendit që në atë kohë kishte nivelin e jetesës më të lartë në Europë, ndërsa në anën tjetër kërkonin socializmin shqiptar? Kadare, më poshtë, i thotë lexuesit shqip­tar se Suedia, edhe pse në dukje është e qetë, do të shkojë drejt revolucionit komunist:
«Ata janë të natyrshëm në qytetet e tyre, ku pavarësisht nga qetësia e jashtme, jeta rrjedh sipas gjithë ligjeve të zhvillimit dialektik të shoqërisë».[13]
Kuptohet se kur Kadare flet për dialektikën ai kupton dia­lektikën marksiste. Pra, kjo do të thotë se edhe Suedia do t’i nën­shtrohet ligjeve të materializmit dialektik historik marksist dhe atje do të bëhet revolucioni komunist dhe klasa punëtore e fshatarësia do ta përmbysin sistemin kapitalist për të vendosur sistemin komunist. Kjo qe një nga arsyet që Kadare shkonte në Suedi. Ismail Kadare në Suedi nuk shkonte vetëm se ky qe vendi ku ndahej Çmimi Nobel, të cilin Kadare që në kohën e re­gji­­mit komunist ka ëndërruar ta fitojë dhe vazhdon ende të ëndë­rrojë që ta fitojë, por edhe për të ndihmuar proletariatin suedez që të kryente revolucionin komunist dhe ta shndërronte Suedinë nga një vend kapitalist në një vend komunist. Kadare shkruan:
«Revolucionarët suedezë në luftë të papajtueshme me bor­gjezinë dhe me partitë revizioniste gjithmonë e më tepër po e shtrijnë ndikimin e tyre në jetën shoqërore dhe politike të vendit më të zhvilluar skandinav».[14]
Shqiptarët mund të gëzoheshin se së shpejti edhe në Suedinë e pasur komunistët po fuqizoheshin dhe edhe atje do të plaste revolucioni. Ironia është se Kadare, kur flet për «revolucionarët suedezë» Partinë Komuniste Suedeze, nuk ka parasysh atë parti që në kohën kur shkruante Kadare merrte 2-3% të votave, por partinë e ashtuquajtur marksiste-leniniste, që ishte krijuar si fra­ks­ion nga kinezët në kohën e çarjes sovjeto-kineze, parti kjo e përbërë nga disa dhjetëra vetë dhe që mbështetej dhe nga Shqi­përia prokineze.
Kadare shkruan:
«Emërtimi ‘e majtë’ për njërën nga partitë revizioniste’ është objekt humori në Suedi. Në të vërtetë, djathtizmi i këtyre par­tive është me brirë».[15]
Por këtu është «me brirë» edhe ekstremizmi majtist i Kada­resë. Për Kadarenë qendra e vërtetë e jetës kulturore në Suedi janë disa librari komuniste të financuara nga Kina maoiste dhe Shqipëria enveriane (këto dy vende në atë kohë qenë ende aleate) dhe ku shpërndaheshin librat e Enver Hoxhës: «libraritë ‘Oktober’ janë qendra të vërteta kulturore, politike, vatra të gjalla, gjithmonë të ndezura të revolucionarëve suedezë. Ishte një kënaqësi shumë e madhe për ne të shikonim midis rafteve të librave vepra të shokut Enver Hoxha të botuara në Francë, Suedi, Finlandë e Danimarkë. Historinë e PPSH në suedisht, vë­lli­min e parë të veprave të zgjedhura të shokut Enver në frën­gjishte dhe në anglishte».[16]
Mund të merret me mend kënaqësia e madhe që ka provuar Kadare, siç thotë vetë, duke parë librat e Enver Hoxhës në një librari në Suedi. Ajo që Kadare eviton ta thotë është se edhe librat e tij botoheshin dhe shpërndaheshin në Suedi dhe vende të tjera nga shtypshkronjat dhe libraritë komuniste të financuara nga Tirana dhe Pekini. Kjo është arsyeja që tirazhi në të cilin u botuan dhe numri i kopjeve të shitura të librave të Kadaresë në Perëndim mbeti një sekret shtetëror në atë kohë dhe Kadare vazhdon që ta ruajë edhe sot si sekret. Në Stokholm Kadare u kënaq dhe sepse dëgjoi muzikë revolucionare komuniste:
«Në këto librari, zakonisht, qendra e zërit jep gjithmonë mu­zikë nga gjithë bota përparimtare, duke filluar nga këngët e Luftës së Spanjës e gjer në këngët e aksioneve të rinisë shqip­tare. Muzika, pankartat, gazetat e murit, afishet e ndryshme kri­jojnë bashkërisht një atmosferë unike, aktive, jopompoze e fja­lamane, por atmosferë të mirëfilltë revolucionare».[17]
Kadare vazhdimisht e siguron lexuesin shqiptar se, po të për­dor një shprehje të Enver Hoxhës nga libri «Imperializmi dhe Revolucioni», në Suedi «Çështja e revolucionit është e shtruar për zgjidhje»: «Revolucionarët suedezë, gjakftohtë dhe të vendosur, janë të ndërgjegjshëm për rrugën e vështirë të revo­lucionit. Patëm rastin të takonim shumë prej tyre, dhe ndjenja e parë që provon pas njohjes me ta, është ndjenja e sigurisë prej militanti. Një siguri që përftohet jo prej fjalëve e gjesteve të mëdha, por që e ka burimin në diçka të thellë, të brendshme e të pandryshueshme: në zjarrin e përjetshëm, në prometeizmin e revolucionit komunist».[18]
Pra, Kadare priste ditën kur në Suedi do të ndizej «zjarri i revolucionit komunist», siç shprehet ai dhe Suedia do të digjej nga ky zjarr, për t’u ndërtuar një botë e re mbi gërmadhat e së vjetrës, siç thotë «Internacionalja». Për këtë gjë po jepte ndih­mesën e vet dhe Kadare, në kuadrin e ndihmës që po i jepte regjimi enverist revolucionit botëror:
«Ju na keni ndihmuar shumë, thoshin ata, Shqipëria është për ne një mbështetje e sigurt në të gjitha furtunat».[19]
Cilat qenë këto furtuna që po kalonte atëhere Suedia, që në atë kohë qe vendi me nivelin më të lartë të jetesës në Europë dhe një nga vendet e para në botë? Ndoshta fakti që rreth kohës kur Kadare vizitoi Suedinë kësaj të fundit ia kaloi paksa Zvicra sa i përket nivelit të jetesës, duke e lënë Suedinë në vend të dytë në Europë. Por, çuditë e këtij shkrimi nuk marrin fund këtu. Më tutje Kadare thotë:
«Është prekëse të dëgjosh në suedisht këngën ‘Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën’, me një strofë të fundit të adap­tuar për situatën në Suedi».[20]
Si ta kenë përshtatur vallë suedezët këtë këngë në suedisht? Duke konsideruar faktin se Suedia qe vendi më i pasur në Europë në atë kohë dhe Stokholmi ishte qyteti me përqendrim më të lartë të makinave luksoze në botë, me siguri që suedezët vargun «në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën», duhet ta kenë përshtatur «në njërën dorë kartë-kreditin, në dorën tjetër çelsat e ‘Porsh’-it». Natyrisht që Kadare, gjatë kohës që rrinte në Suedi, nuk mund ta hiqte vëmendjen nga lufta e «popullit» vietnamez kundër «imperializmit» amerikan. Kadare madje kre­no­het se ai qe një nga njerëzit e parë që mësoi lajmin për rënien e kryeqy­tetit të Vietnamit të Jugut, Sajgon, nën kontrollin e komunis­tëve:
«Ne qëlluam në Stokholm ditën e rënies së Sajgonit. Për një rastësi të çuditshme ishim nga të parët njerëz në Suedi e, ndo­shta në Evropë, që e morëm vesh këtë lajm. Ishim të ftuar për darkë tek Peter Matis, suedezi i parë që kishte kryesuar një demonstratë në mbrojtje të Vietnamit dhjetë vjet më parë. Pas darkës ne fjetëm në shtëpinë e Matisit. Në orën 4 pas mesnatës ra telefoni që ndodhej në dhomat tona. Një njeri u lut që të zgjo­nim të zotin e shtëpisë. Llazar Siliqi, që kishte ngritur recepto­rin, kujtoi se u kishte ndodhur ndonjë fat­keqësi familjare miqve tanë. Por zëri i njeriut të huaj në telefon tha: Ka rënë Sajgoni. Jam gazetar i gazetës (ai tha emrin e një gazete të madhe) dhe dëshiroj të intervistoj, me këtë rast, Peter Matisin. Lajmi i rënies së Sajgonit e përshkoi si një stuhi e gë­zue­shme kryeqytetin e ftohtë verior».[21]
Në fakt, fatkeqësia i kishte ndodhur popullit vietnamez që ra nën sundimin e një diktature komuniste. Kadare nuk ia shpjegon lexuesit shqiptar se përse duhej që kryeqyteti suedez të gëzohej nga rënia e një kryeqyteti tjetër nën kontrollin komunist dhe si e mësoi Kadare gëzimin e një qyteti milionësh atë natë.
Kadare, në përfundim të shkrimit, i thotë lexuesit shqiptar se ai (Kadare) u largua nga Suedia me bindjen e plotë se populli suedez gjendet në të njëtën llogore të luftës revolucionare komu­­niste me popullin shqiptar:
«Duke ikur nga Suedia, duke parë si mbetën pas brigjet veri­ore të Evropës, ndërsa avioni drejtohej brigjeve të skajit tjetër jugor të kontinentit, njeriu mendon se sa madhështore dhe e bukur është llogorja e përbashkët e popujve dhe e revolu­cio­narëve të botës kundër reaksionit botëror, ideologjive të zeza, supershteteve agresive, strukturave të përbindshme burokratike që duan të fshijnë nga faqja e dheut shtete, kombe e kultura të tëra, për të vendosur në vend të tyre perandoritë e tyre të errëta dhe boshe. Ti Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqiptar. Dhe nuk është ky emër tregues i kombësisë që i përkasim. Në kohën e sotme ky emër tregon shumë më tepër: tregon, para së gji­thash, njeriun që është ngulur në llogoren e parë të komunizmit, përballë shqotave imperialisto-revizioniste, që shfryjnë e bubu­llijnë mbi kokën e tij, por që nuk e shkulin dot kurrë nga ajo llogore. Sepse ajo llogore është vendi që na ka caktuar historia. Dhe aty ne jemi të natyrshëm e të përjetshëm».[22]
Nga kjo gjuhë luftarake kuptohet se Kadare edhe Çmimin Nobel duhet ta ketë konceptuar në sensin e profesionit të njeriut që i dha emrin këtij çmimi, Alfred Nobelit, inxhinierit që shpiku dinamitin. Pra, Kadare donte t’i vinte dinamitin kapi­ta­lizmit në Suedinë e pasur dhe në krejt botën. Kështu dhe Suedia do të bëhej si Shqipëria një skëterrë e rrethuar me tela me gjemba, ku qindra mijë njerëzve të ekzekutuar nga regjimi nuk do t’u gjen­deshin as varret dhe ku njerëzit do t’i merrnin ushqi­met me tollona. «Lufta revolucionare» që himnizon Kadare në këtë shkrim, në atë kohë përfaqësonte terrorizmin që kërcënonte Perëndimin dhe si koncept dhe si praktikë qe identik me luftën e shenjtë (Xhihadin) e terrorizmit islamik sot.
Nga ky shkrim i Kadaresë kuptohet qartë se ai e urrente the­llë­sisht çdo gjë borgjeze të Suedisë, me përjashtim natyrisht të Çmimit Nobel, të krijuar nga borgjezi Alfred Nobel, çmim ky që jepet bashkë me 1 milion dollarë «imperialistë» ame­rikanë, si «stimul material», që për komunistët është një herezi, pasi «njeriu i ri» duhet të merrte veç «stimuj moralë», dome­thënë fletë-lavdërimi etj. Dhe, meqë Kadare ka pasur këtë bin­dje të çuditshme se revolucioni komunist në Suedi është një çështje e së ardhmes së afërt, gjë të cilën Kadare nuk e ka për­gënjeshtruar ende, atëhere i uroj që Çmimin Nobel ta marrë të nesërmen e ditës që do të fitojë ky revolucion në Suedi.
Në mbyllje të shkrimit të vet Kadare nuk mungon që t’u bëjë një kritikë të ashpër dhe komunistëve «revizionistë» italianë:
«Duke njohur këta komunistë internacionalistë, njeriu, pada­shur, bën krahasimin midis tyre dhe pseudokomunistëve të PK Italiane, të cilët, edhe kur hiqeshin si miqtë tanë, edhe pse ishin fqinjët tanë, edhe pse i përkitnin një vendi, borgjezia e të cilit kishte borxhe të mëdha ndaj nesh, ata, në vend që të silleshin me ne me ngrohtësi të veçantë, përkundrazi u përpoqën të sille­shin me mendjemadhësi, si shovinistë të vërtetë, trashëgimtarë të shovinizmit të pështirë fashist».[23]
Inati i Kadaresë me komunistët italianë vjen, në këtë shkrim për Suedinë, me siguri nga fakti që shtypi komunist në Itali, ashtu si krejt shtypi italian, e priti keq romanin e Kadaresë «Gjenerali i ushtrisë së vdekur», që u botua në Itali në 1972. Në Itali romani i Kadaresë u quajt si një libër barbar, pa precedent në literaturën botërore, që fyente kujtimin e ushtarëve të vdekur shumë vite pas përfundimit të luftës, gjë që nuk ndo­dhte me njerëzit e qytetëruar, së paku që nga koha e Luftës së Trojës. Madje shtypi italian e tha hapur se ky roman i Kadaresë u porosit nga regjimi komunist shqiptar si alibi për të çliruar regjimin dhe personalisht Enver Hoxhën nga faji për pushka­timin e ushtarëve dhe oficerëve italianë, që u dorëzuan tek partizanët. Tek «Batalioni Blu» dhe komandanti i tij, Koloneli Z i Kadaresë, dallohen lehtë reparti i karabinierëve i komanduar nga koloneli Gamucci, që u dorëzua tek partizanët dhe që u pushkatuan me urdhër të Enver Hoxhës, gjë që e pohoi dhe Xhelal Staravecka në gjyqin që u bë për këtë çështje në Romë, pas luftës. Ndërsa Kadare në roman jep versionin e përhapur nga regjimi komunist se reparti i Gamuccit u asgjësua nga fsha­tarët për shkak të krimeve të bëra. Për të mbështetur këtë ver­sion Kadare paraqet në roman «dëshminë» e plakës Nicë.
Në rast se Kadare do t’i humbë krejt shpresat se do ta marrë Çmimin Nobel, atëhere duhet pritur që të shpërthejë urrejtja e tij për Suedinë, ashtu si për Italinë, në një mënyrë ose në një tjetër, ndoshta me anë të ndonjë romani ku tregohen krimet që ka bërë ndonjë «Kolonel Z» suedez në Shqipëri, i cili do të ketë qenë vull­netar në Arbëri (Shqipëri) në kohën e Skënderbeut dhe që ndo­një «plakë Nicë» arbëreshe do ta ketë varrosur në prag të shtëpisë.
Shkrimi i mësipërm i Ismail Kadaresë u quajt i ekzagjeruar edhe për vetë standardet e propagandës së regjimit komunist shqiptar, gjë që kuptohet nga fakti se ky shkrim nuk u përfshi në botimin e dytë që iu bë librit të Kadaresë «Emblema e dikur­shme» në vitin 1981. Në fakt, mbetet mister fakti se, kur Kadare pretendon të fitojë Çmimin Nobel, që siç dihet jepet nga Aka­demia Suedeze, nuk e mendon se ç’efekt do të bëjë ky shkrim i tij tek juria suedeze. Derisa Kadare vazhdon të pre­tendojë që ta marrë Çmimin Nobel, atëhere ai duhet t’i kër­kojë falje opinionit publik suedez për këtë shkrim që nuk mund të definohet ndry­she përveç si terrorist dhe paranojak, duke qenë se këtu shprehet dëshira që Suedisë t’i bjerë sa më parë zjarri i revolucionit komu­nist, me të gjithë genocidin dhe vuaj­tjet e tjera që e pasojnë atë. Në rast se inicuesi i Çmimit Nobel, Alfred Nobel, do ta lexonte shkrimin e mësipërm të Kadaresë dhe nëse do të kishte një sens humori, atëhere do të rekomandonte që Kadaresë, në vend të Çmimit Nobel, t’i jepej një sasi nga shpikja e Alfred Nobelit, pra një sasi dinamiti, duke i sugjeruar që ta përdorte në grum­bullin e librave të veta, për t’i shpërndarë librat në një mënyrë që do t’i bënte ato të padëm­shme.


[1] Ismail Kadare: «Midis miqve të Shqipërisë», në «Emblema e dikur­shme», «Naim Fra­shëri», Tiranë, 1977, f. 387.
[2] Po aty, f. 387.

[3] Po aty, f. 387-388.

[4] Po aty, f. 388.

[5] Po aty.
[6] Po aty, f. 389.

[7] Po aty, fq. 389-390.
[8] Po aty, f. 390.

[9] Po aty, fq. 390-391.

[10] Po aty, fq. 391.
[11] Po aty, fq. 397.

[12] Po aty, fq. 392-393.
[13] Po aty, f. 395.
[14] Po aty, f. 393.

[15] Po aty, f. 393.
[16] Po aty, f. 394.

[17] Po aty, f. 394.
[18] Po aty, f. 397.
[19] Po aty.
[20] Po aty, fq. 397-398.

[21] Po aty, fq. 396.

[22] Po aty, fq. 398.

[23] Po aty, fq. 389.