ISMAIL KADARE E QUAN POPULLSINË AUTOKTONE TË SHQIPËRISË SË MESME, POSAÇËRISHT TIRANËS, SI PASUESE TË KOLONËVE TURQ?!






Ismail Kadare e ka identifikuar të keqen historike tek shqip­tarët me personin dhe lëvizjen e Haxhi Qamilit. Por, Ismail Kadare, në mënyrë sa të habitshme dhe sinjifikuese, avancon duke e përcaktar gjithë popullsinë e Shqipërisë së Mesme ku ndodhi kjo lëvizje, si joshqiptare, por pasardhëse të kolonëve turq të sjellë në Shqipëri gjatë okupimit osman. Ismail Kadare, në një intervistë që i ka dhënë ditores së Tiranës «Shekulli», në 3 korrik 2006, në lidhje me debatin e tij me Rexhep Qosjen për identitetin shqiptar shkruan:
«Historia jonë, në vend që të bënte sikur nuk shihte, duhej të kishte vënë re se përse në disa zona të Shqipërisë këndohet edhe sot kënga për banditin nga Sharra (Mal më mal këndon bilbili, rroftë e qoftë Haxhi Qamili.). E kjo të kujton faktin tjetër se përse mbahet mend dhe vizitohet ende sot varri i Ballaban Pashës, tradhtarit të mundur e të ndëshkuar prej Skënderbeut? Shtrohet pyetja nëse kjo tregon një gjendje patologjike të një pjese të popullsisë shqiptare, apo këto janë zona në të cilat, sipas kronikave osmane, perandoria ka bërë shpërngulje etnike të vendësve, për t’i zëvendësuar me kolonë të ardhur nga kushedi ku. E këta kolonë kanë kujtime e nostalgji të tjera. Ato jo vetëm janë të ndryshme nga ato të kombit shqiptar, çka do të ishte e natyrshme, por ato janë në kundërshtim të plotë me interesat e tij. E këtë asnjë vend i sotëm nuk e lejon».[1]
Siç shihet, Ismail Kadare, me lehtësinë më të madhe, duke iu referuar kronikave osmane që ai nuk i citon, paraqet tezën sikur popullsia e sotme e Shqipërisë së Mesme është pasardhëse e kolo­nëve turq të vendosur në këtë zonë pasi ajo u boshua si pasojë e dhunës osmane. Posaçërisht, Kadare quan si pas­ar­dhëse të kolo­nëve turq popullsinë vendase të Tiranës (Sharrën e përmend si eufemizëm), duke sjellë si provë për këtë edhe fak­tin që tek kjo popullsi ruhet ende tradita orale (kënga) për Haxhi Qamilin. Pra, me argumentin e disa kronikave që nuk i citon dhe me një këngë popullore, Kadare «provon» se popullsia e Shqipërisë së Mesme, posaçërisht e Tiranës, është joshqiptare, por turke!!!
Dihet se turqit e kishin praktikë që të vendosnin kolonë gjith­andej territoreve që okuponin, pra edhe në Shqipëri, edhe në vendlindjen e Kadaresë në Gjirokastër, por nuk ka asnjë të dhënë nga arkivat që këtë gjë ta kenë bërë në ndonjë pjesë të territorit shqiptar në atë masë që thotë Kadare, pra aq sa të kri­jonin një mazhorancë në raport me popullsinë vendase. Bano­rët e Shqi­përisë së Mesme, të cilët Kadare i quan si kolonë turq, gjatë krye­ngritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912, u ngri­tën masi­visht me armë në dorë kundër Turqisë, madje edhe duke çliruar qytete. Në fund të nëntorit 1912, flamuri shqiptar u ngrit në qytetet e Shqipërisë së Mesme, në ditët para se ta ngrinte Ismail Qemali në Vlorë dhe para se ky flamur të ngrihej në Gjirokastrën e Kadaresë. Të gjitha këto fakte e bëjnë shumë më të komplikuar çështjen e rebelimit islamik të viteve 1914-1915, që erdhi vetëm dy vjet pasi këta banorë dhanë këto prova vetëdijeje nacionale shqiptare. Ku ishin në 26 nëntor 1912 këta njerëz që dy vjet më vonë do të bërtisnin «Dum Babën», duke ngritur flamurin turk? Pse nuk e ulën flamurin shqiptar në nëntor 1912? Atë flamur e ulën vetëm serbët, kur ushtria serbe e okupoi Tiranën, pak ditë më vonë. Rebelimi islamik që ndodhi në këtë zonë në vitin 1914, nuk do të thotë se popullsia e saj qe turke. Në lëvizjen islamike mori pjesë vetëm një pjesë e vogël e popullsisë dhe ajo arriti që të dominonte sipas rregullit të njohur të historisë, që minoranca aktive dominon mbi shumësinë e popullsisë, duke i imponuar asaj vullnetin e vet. Dhe është do­me­thënëse se në këngët për Haxhi Qamilin, populli i Shqipërisë së Mesme nuk e lavdëron atë si prijës fetar, por për luftën kundër feudalëve, bejlerëve dhe pashëve, të cilët fshatarët e kësaj zone donin që t’i hiqnin qafe pas largimit të Turqisë. Kjo tregon se një pjesë e madhe e fsha­tarëve të Shqipërisë së Mesme iu bashkuan lëvizjes për motive antifeudale dhe jo për motive fetare.
Kadare, pasi i ka thënë këto gjëra për popullsinë e Shqipërisë së Mesme nuk duhet të zemërohet në rast se analizohet historia e Gjirokastrës sipas pikëpamjes së Kadaresë. Duke e bërë këtë, ky qytet del shumë më i komprometuar me turqit se qytetet e Shqi­përisë së Mesme. Vendlindja e Ismail Kadaresë, qyteti i Gjiro­­­kastrës, u okupua nga turqit në vitin 1417, për të mbetur në dorën e tyre pa ndërprerje deri në vitin 1913, kur turqit u lar­guan për­gjithmonë nga Shqipëria. Banorët vendas nuk u rebeluan kundër turqve për ta çliruar qytetin as në kohën e krye­ngritjeve të mëdha shqiptare të viteve 1432-1438, kur kështjella e Gjiro­kastrës u rre­thua nga kryengritësit shqiptarë dhe as në kohën e luftës së madheantiturke të prirë nga Gjergj Kastrioti Skënder­beu dhe pas vde­kjes së tij në vitet 1443-1479, kur pjesa më e madhe e qyte­teve shqiptare i dëbuan okupatorët turq. Gjatë gjithë kohës së rezisten­cës skënderbeiane, Gjirokastra nuk mori pjesë. Edhe gjatë lëviz­jes nacionale shqiptare, në shekullin XIX-XX, në kohën e krye­ngri­tjeve të mëdha shqiptare, në kohën e Lidhjes së Prizrenit dhe të kryengritjes së përgjithshme shqip­tare të viteve 1912, kur shumëqytete shqiptare u çliruan, Gjiro­kastra mbeti gjatë gjithë kohën nën sundimin turk. A është kjo besnikëri e banorëve të Gjirokas­trës ndaj okupatorit turk arsyeja që turqit e shpërblyen Gjiro­kastrën, e cila gjatë kohës së oku­pi­m­it turk ka qenë qyteti shqip­tar që ka pasur më shumë nëpunës të administratës turke, gjithandej territorit të imperisë se çdo qytet tjetër shqiptar?
Mos ndoshta ky luajalitet i gjirokastritëve shpje­gohet me faktin se në Gjirokastër turqit vendosën kolonë të sjellë nga viset e tjera islamike të imperisë. Kadare është me ori­gjinë nga Gjiro­kastra por, siç e kam thënë tashmë më se një herë,[2]mbiemri «Kadare» ndryshon shumënga mbiemrat e banorëve të Gjiro­kastrës që janë të prejardhur ose nga emra muslimanë, ose nga fjalë greke, trashëgimi e kohës bizantine. Mbiemri «Kadare» është praktikisht i njëjtë me atë të ish-liderit komunist hungarez, Kadar. Hungarezët origji­nën e vet të hershme e kanë nga Lindja e Largme, nga areali huno-turk (kur hungarezët arritën së pari në Europë në shekullin X pas Krishtit, europianët i quajtën «turq»), pra nga e njëjta zonë nga ku u nisën edhe paraardhësit e turqve osmanë në dyndjen e vet që i çoi deri në zemër të Euro­pës. Në kohën e okupimit osman në Shqipëri u vendosën kolonë turq dhe, duke u nisur nga mbiemri, të tillë duhet të kenë qenë paraardhësit e Kadaresë në Gjirokastër, gjë që duket e sigurt pasi nuk ka asnjë rast që një familje shqiptare e islamizuar të ketë adoptuar si mbiemër një fjalë turke paraislamike.
Është sa e çuditshme, aq edhe sinjifikative se Ismail Kadare kur preokupohet për nderimet që i bëhen varrit të Ballaban Pashës (?!), pa e thënë ku dhe nga kush, nuk thotë asnjë fjalë për faktin që Kisha Ortodokse Shqiptare njeh si shenjt dhe nderon në një tempull në Elbasan, të ashtuquajturin Shën Joan (Ivan) Vladimirin, që ka jetuar në fund të shekullit X dhe në fillim të shekullit XI dhe që ka qenë një okupator serb i trojeve shqiptare, me origjinë nga familja Nemanja, dinastia mbretërore mesjetare serbe, që ka qenë përgjegjëse për genocidin kundër shqiptarëve. Pse Kadare nuk preokupohet edhe për nderimin e varrit të këtij okupatori serb, eshtrat e të cilit ruhen në një arkë speciale të dhuruar në 1935 nga Kisha Serbe, aq më tepër që ky «shenjt» serb nuk njihet nga asnjë kishë tjetër ortodokse veç asaj serbe. Nderimi i Shën Joan Vladimirit është një gjë e kuptueshme në rastin e serbëve dhe grekëve, ndërsa në rastin e Kishës Ortodokse Shqiptare ajo që kuptohet është se në këtë rast i shërben Serbisë dhe Greqisë. I ashtuquajturi Shën Ivan (Joan) Vladimiri nuk është një simbol fetar, por një simbol politik, nacionalist, serb dhe grek dhe duke e nderuar atë Kisha Ortodokse Shqiptare vihet në linjë me nacionalizmin religjioz serb dhe grek.
Ajo që të bën përshtypje është se përçmimi për qytetarin autokton të Tiranës është mendësia e artikuluar publikisht e linjës politike me të cilën është identifikuar Kadare, pra linjës së Edi Ramës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në kon­ferencën «Shteti, biznesi, shoqëria civile», mbajtur në Tiranë, në 20 prill 2004, u shpreh kështu për një eksperiencë të veten gjatë kontaktit me qytetarët e Tiranës:
«Në një prej atyre debateve të rastësishme në rrugë që mble­dhin kalimtarë apo konsumatorë të palodhur trotuaresh, takoj një djalë, 35-36 vjeç, fizik i mbarë, veshje normale, pakëz erë alkooli pa ardhur ende mesdita dhe dëshira karakteristike për protagonizëm në përballje me një njeri të shtetit si puna ime që bëj debat me katundarë të cilët nuk mund të arrijnë të kuptojnë pse nuk mund të shesin prodhimet e tyre në një trotuar lagjeje. Zëri, ai shqiptari kompetent: ‘O Edo, nuk ka punë mër lal, s’kanë bukë me hongër dynjoja’. E pyes ç’punë bën. Shofer më thotë. Ka dy fëmijë dhe gruan. Hajde nesër i them se kam një punë për ty. Të nesërmen vjen dhe refuzon të punojë me kamion në Ndër­marr­jen e Punëtorëve të Qytetit. Interesohem në Një­sinë Bashkiake përkatëse dhe ky tip merr ndihmë ekonomike. Me të cilën sigurisht pi një pjesë të fërnetit të paradites. Pjesën tjetër një dreq e gjen sesi e siguron, por është e sigurt që pi për­ditë».[3]
Edi Rama këtu me shumë saktësi e riprodhon të folmen tira­nase të këtij njeriu, duke dashur të na e bëjë të ditur identitetin e tij. Imitimi i së folmes së këtij të riu, bëhet për të paraqitur gru­pin të cilit ai i përket, i cili paraqitet si bartës kole­ktiv i së keqes. Shihet qartë se për Edi Ramën, një prej stereo­tipeve tradicionale të njeriut të çrregullt në Tiranë është tiranasi autokton, i cili është dembel, pijanec, i prirur për të ngritur krye kundër autori­tetit shtetëror etj., individi sillet si përfaqë­sues i grupit. Kjo mënyrë të foluri e Ramës ngjan me atë të kolonialistëve të bardhë europianë për banorët vendas të kolo­nive në Afrikë dikur. Për Edi Ramën tiranasi është «the native», siç thotë Faik Konica se i quanin dikur disa të ardhur nga Jugu tiranasit auto­ktonë. Konica shkruan:
«Mbeta i ngrirë nga habia kur dëgjova një ditë në Tiranë një njeri që të më thotë inglisht duke folur për tiranasit “the nati­ves” dhe ai vetë duke qenë shqiptar».[4]
Më tutje Konica shton: «Një afrikani, një aziatiku, inglizi nuk i thotë kurrë vendës i aksh pjese të Azisë ose të Afrikës, me për­buzjen e një dominatori, të një mizori, i thotë vetëm “na­tive”».[5]
 
Denigrimi i njeriut autokton të Shqipërisë së Mesme është pjesë e një tradite të mendimit dhe politikës në Shqipëri, të për­punuar nga njerëz me origjinë nga zona përreth vendlindjes së Kadaresë. Me këtë është synuar jo thjesht që të legjitimohet trajtimi si një qytetar i dorës së dytë i vendasit të Shqipërisë së Mesme, por të justifikohet deri edhe genocid ndaj tij në pers­pektivë, duke e asgjësuar fizikisht. Është sa e çuditshme dhe sinji­­fikative, që Fan Noli në një prej fjalimeve të veta në një rreth shqiptaro-amerikanësh ortodoksë në vitet 50, tregon për një episod në vitet 20, në Shqipëri:
 
«Njëherë ishim mbledhur në Tiranë, dhe po mejtoheshim disa shokë atje si mund të spastrojmë Tiranën. Atëherë ishte shumë e qelbur. Nuk di si është tashti, se s’kam vajtur. Atëherë kundërmonte. Secili ipte mendimin e tij: jo duhet bërë kështu, jo duhet bërë ashtu. Miço Çekani dha një mendim. Edhe mendimi i tij ishte ky: si mund të spastrohet Tirana, të bëhet qytet i pastër? Të bëjmë, tha, një mur rreth e rrotull Tiranës dhe pastaj t’i vemë zjarr, ta djegim. Një nga ata tha: “Po sikur të shpëtojnë, një të dalë jashtë?” Atëhere u prish i tërë plani. Ajo është zgjidhja e jataganit: t’i vrasim që të gjithë».[6]
 
Si Noli dhe ky Miço Çekani qenë ortodoksë me origjinë nga zona rrotull vendlindjes së Kadaresë. Shikoni se çfarë idesh geno­cidale, identike me ato që diskutonin nazistët në kampet e shfarosjes dhe në getot e hebrejve, si dhe serbët në Bosnjë-Her­cegovinë dhe në Kosovë, kanë pasur ndaj tiranasve vendas Noli dhe rrethi i tij i «Revolucionit Demokratik». Dhe kjo urrej­tje për tiranasit nuk vinte nga papastërtia e qytetit sepse Edith Dur­hami, e cila e vizitoi Tiranën në nisje të shekullit XX, ndo­nëse për shume qytete dhe krahina të Shqipnis nuk e kursen kriti­cizmin në çdo aspekt, Tirana i bën një përshtypje të mirë, duke e gjetur si «jashtëzakonisht të pastër dhe shumë pikto­resk».[7]
Rrena e Nolit për Tiranën është frut i mentalitetit se vendasit e Shqipërisë së Mesme (tiranasit, durrsakët, elbasanasit etj.) qenë të trashë, të pistë dhe e meritonin që të sundoheshin. Deklarata të tilla nuk duhen marrë kurrë lehtësisht. Atë që nuk e bëri dot Noli me të vetët e potencon sot Kadare dhe kjo nuk bëhet pa qëllim. Ne jetojmë në kohëra kur para disa vitesh është bërë genocid ndaj njeriut shqiptar, duke u tentuar asgjësimi total i njeriut shqiptar, jo vetëm në Kosovë dhe në Maqedoni, por edhe në Republikën e Shqipërisë, nga fqinjët serbë dhe grekë, me justifikimin se shqiptarët në dy anët e kufirit janë pasardhës të turqve të vendosur këtu në kohën osmane. Dhe është e sigurt se serbët dhe grekët kanë ndërmend që ta bëjnë edhe në të ardh­men këtë gjë, në rast se krijohen situata të favorshme nga aca­rimi i ballafaqimit të Perëndimit me botën islamike. Kadare të gjitha këto sigurisht që i di dhe madje i di shumë mirë. Dhe me­gjithatë, në këtë luftë serbëve dhe grekëve u vjen si dhuratë në pjatë të artë një ‘argument’ i këtij lloji nga i ashtuquajturi shkrim­­tari më i madh shqiptar. Me këtë Ismail Kadare është bërë bashkë­­fajtornë projektet për genocide kundër kombit shqiptar.


[1] Gazeta «Shekulli», Tiranë, 3 korrik 2006, f. 5.

[2] Faqe 18-19, 471.

[3] Cituar sipas gazetës «Shekulli», Tiranë, 21 prill 2004, f. 15.
[4]Faik Konica: VEPRA, «Naim Frashëri», Tiranë, 1993, f. 254.

[5] Po aty, f. 254.
[6] Fan Noli: VEPRA, vol. VI, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 1996, f. 222.

[7] Edith Durham: «Brenga e Ballkanit», «Naum Veqilharxhi», Tiranë, 1998, f. 92.