Poezia «Laokoonti» është një nga ato poezi të Ismail Kadaresë për të cilat pothuajse nuk flitet fare, kur ajo përbën kodin e zbërthimit të qëndrimit të Kadaresë në kohën e diktaturës komuniste. Poezia «Laokoonti» është botuar në vitin 1976, në ciklin me poezi «Koha», botuar për herë të parë në revistën «Nëntori» dhe pastaj në një libër-përmbledhje poezish të Ismail Kadare. Poezia «Laokoonti» është shkruar dhe botuar fill pas problemeve që pati Ismail Kadare në vitin 1975 me poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», e njohur ndryshe si «Pashallarët e kuq». Në fakt, poezia «Laokoonti» është reagimi i Kadaresë ndaj kritikës që iu bë atij për poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh». Në poezinë «Laokoonti» Ismail Kadare rimerr temën e tregimit «Përbindëshi» të botuar në vitin 1965, për të cilin ai ishte kritikuar dikur, për herë të parë si shkrimtar. Në një intervistë për gazetën «Zëri i Rinisë», në 1 dhjetor 1973, Kadare thotë:
«Dëshira për të shkruar një vepër për përballimin e stuhisë revizioniste në vitet 1960 ka qenë e vjetër. Në vitin 1965 tentova ta realizoja këtë ide në tregimin ‘Përbindëshi’, duke u përpjekur të rishkruaja mitin e Kalit të Trojës. Për shkak të simbolikës së rënduar tregimi doli i errët».[1]
Në një tjetër intervistë të botuar në vitin 1979, në revistën «Nëntori», Kadare thotë:
«Ndeshja e Partisë sonë me revizionizmin hrushovian, duke qenë një ndeshje me proporcione madhore në planin kombëtar dhe ndërkombëtar, është njëkohësisht një luftë dhe përvojë e re, që i shtohet epopesë së proletariatit botëror. Si e tillë, edhe pasqyrimin e saj në letërsi ajo nuk e kishte të lehtë, sidomos në një gjini të gjerë si romani. Dëshira ime për të shkruar diçka për këtë ndeshje monumentale haste në pengesën që krijonte vetvetiu naiviteti i temës, si dhe në mungesën e mjaftueshme të përvojës sime si prozator për të rrokur tablo të një gjerësie të tillë. Kjo bëri që në fillim unë t’i shmangesha atakimit të drejtpërdrejtë të temës, dhe të kërkoja rrugë të tjera për ta pasqyruar atë. Duke qenë se isha marrë gjer atëherë më shumë me poezi, m’u duk se edhe në prozë do ta kisha më lehtë të realizoja diçka duke thirrur në ndihmë kryesisht mjetet e poezisë, figuracionin dhe simbolikën poetike. Kështu, duke u nisur nga fakti që tradhtia hrushoviane në atë kohë dhe më vonë në shtypin e propagandës sonë dhe në gjithë shtypin revolucionar botëror quhej si Kali i Trojës brenda lëvizjes komuniste botërore, unë nisa të shkruaja një novelë për historinë e moçme të Kalit të Trojës, të lidhur drejtpërdrejtë me kohën tonë. Novelën e shkrova dhe e botova më 1965 në revistën ‘Nëntori’. Siç e tregoi me të drejtë kritika jonë si dhe reagimi i lexuesve, novela pavarësisht nga qëllimi im, ishte e paralizuar, konfuze dhe aspak e qartë. Botimi i saj, megjithatë më ndihmoi mua të bindesha edhe një herë për një gjë të madhe: mjetet simbolike konvencionale ishin tepër të kufizuara dhe nuk mund të jepnin kurrsesi dëshmitë e mëdha të kohës që ishin të jetuara nga mbarë populli. Imazhi i Kalit të Trojës, sado që të përdorej në një sens të drejtë, nuk mjaftonte për të dhënë fytyrën reale të tradhtisë së sotme hrushoviane».[2]
Në gjuhën e Enver Hoxhës, në atë periudhë, «revizionistë» quheshin antistalinistët, madje edhe jostalinistët. E vërteta është se nuk ka pasur një stuhi të ashtuquajtur revizioniste ndaj Shqipërisë. Kur në Bashkimin Sovjetik, me Kongresin XX, në 1956, filloi një kurs antistalinist, Enver Hoxha në Shqipëri nuk ishte entuziast për këtë dhe në fund bëri zgjedhjen e tij, duke dalë si kampion i mbrojtjes së Stalinit në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Në këto rrethana, Bashkimi Sovjetik, në dhjetor 1961, thjesht preu marrëdhëniet me Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe përfaqësuesit shqiptarë ndaloheshin të merrnin pjesë në mbledhjet e Traktatit të Varshavës, e gjithë kjo për shkak të marrëveshjeve të fshehta për shkëmbime gjeopolitike që u bënë mes Moskës dhe Washington-it. Në këtë situatë, EnverHoxha, i cili kishte hapësirë që të ndiqte në Shqipëri së paku shembullin e Titos, duke e hapur vendin ndaj Perëndimit, zgjodhi që ta bënte Shqipërinë Tempullin e Stalinit. Ismail Kadare në citimin e mësipërm e thotë qartë se ai në tregimin «Përbindëshi» e ka projektuar ndeshjen mes stalinistëve dhe antistalinistëve (revizionistëve) në Mitin e Trojës, duke e identifikuar Kalin e drunjtë me antistalinizmin. Ideja e Kadare është që antistalinizmi është Kali i Drunjtë i Perëndimit kapitalist, dhe me të (antistalinizmin), do të vijë ashtu si akejtë që kishin hyrë në barkun e Kalit të drunjtë, diversioni kapitalist dhe që do të shkatërrojë shtetin komunist, duke rikthyer kapitalizmin. Miti i Kalit të drunjtë, tekefundit përbën si një simbolikë tejhistorike, atë të një komploti, një konspiracioni, për të marrë nën kontroll një shtet, për të përmbysur një pushtet. Kështu, Kadare, duke bërë këtë parabolë, po paralajmëronte praktikisht për komplote revizioniste (antistaliniste), pra antienveriste në Shqipëri dhe kërkonte që «kuajt e drunjtë» të goditeshin paraprakisht, së bashku me ata që fshihnin brenda. Pra, Kadare po bënte thirrje për terror stalinist në Shqipëri. Sipas atyre që kam cituar më lart, Kadare e pohon vetë se «Përbindëshi» ishte një manifest i stalinizmit. Sipas atyre që thotë vetë Kadare për tregimin «Përbindëshi», ai del të jetë një ftesë që i bëhej diktatorit stalinist Enver Hoxha, për të zbuluar në Shqipëri sa më shumë komplote, sa më shumë revizionistë antistalinistë. Është shumë domethënëse që tregimi «Përbindëshi» nuk u kritikua atëherë kur u botua për idenë qendrore të tij, por për formën në të cilën ishte paraqitur kjo ide, po të shprehem në terma të realizmit socialist.
Si shkak për t’u shkruar poezia «Laokoonti» u bënë kritikat që iu bënë Kadaresë në 1975 për poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh». Në poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh» Ismail Kadare ka zbuluar një tufë «kuajsh të drunjtë» revizionistë antistalinistë, të cilët ia sugjeron diktatorit që t’i eliminojë, duke e barazuar burokratizmin me komplotizmin. Siç kam thënë edhe në analizën e mëparshme, për poezinë e Kadare «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», Enver Hoxha vetëm disa muaj para se Kadare të çonte për botim këtë poezi kishte mbajtur një fjalim ku kishte dhënë një shifër prej 30 mijë burokratësh të kamufluar, veç të tjerëve. Nëse do të përdorej formula e Kadaresë, e barazimit të burokratit me komplotistin, kjo do të çonte në eliminimin fizik të tyre dhe në internimin e familjeve të tyre, pra në një valë të paparë terrori masiv. Siç e kam treguar tashmë, në analizën që i kam bërë kësaj poezie, Kadare u kritikua për të, se kjo që kërkonte Kadare ishte në fakt pol-potizëm, që shkonte mjaft përtej limitit të terrorit të Enver Hoxhës. Por që Kadare nuk ishte penduar për atë që bëri në poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», kjo kuptohet nga poezia «Laokoonti» që Kadare e botoi pak muaj pas kritikave që iu bënë për poezinë e parë. Ismail Kadare, në poezinë «Laokoonti», vetidentifikohet me Laokoontin dhe e paraqet veten si njeriun që u bë kampion i luftës kundër revizionizmit (antistalinizmit), duke paralajmëruar rrezikun e lindjes së revizionizmit në Shqipëri, me metaforën e «Kalit të drunjtë». Ismail Kadare i konsideron kritikat që iu bënë atij për tregimin «Përbindëshi» në 1965, ato për romanin «Dimri i vetmisë së madhe», si dhe ato për poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», si dhe faktin që ai u detyrua të bënte autokritikë për poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», si triumf të revizionistëve, pra antistalinistëve, pra antienveristëve të kamufluar brenda «Kalit të drunjtë». Ismail Kadare me poezinë «Laokoonti» praktikisht i denoncoi si revizionistë dhe armiq tek Enver Hoxha, ata që e kritikuan për poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», që nga Dritëro Agolli, tek Ramiz Alia.
Në poezinë «Laokoonti», Laokoonti-Kadare thotë:
«Një të fshehtë të madhe ndrydh brenda gjoksit
Mijëra herë në mijëra net e ditë
Të vërtetën e frikshme përsëris pa pushim
...
Si çdo gjë e tmerrshme është i thjeshtë sekreti,
Që brenda boshllëku i gjoksit tim mban.
Afroni, pra, kokat të dëgjoni të vërtetën,
Mua s’më mbytën gjarpërinjtë, por trojanët më vranë.
Oh sikur të mundja gjithçka të tregoja,
Si do të ngrinit para meje si gur,
Por unë jam i dënuar mes rropamës suaj
Moskokëçarëse,
Më qartë se kaq nuk ka si ta thotë Kadare, se disiplina e partisë ia ka mbyllur gojën dhe ai nuk mund të flasë publikisht, por po flet në gjuhë figurative. Dhe flet aq qartë sa s’bëhet. Më tutje, Ismail Kadare shkruan në poezinë «Laokoonti»:
«Ju e dini se përpara Trojës aherë
Kali i Drunjtë, dhuratë e grekëve u shfaq.
Ky kalë në dy grupe i ndau trojanët:
Ta pranonin ose ta flaknin sakaq.
Pajtim me armikun, ulërinin tradhtarët,
Mjaft më me luftë, zjarre dhe helm.
Erdh koha që shpatat t’i kthejmë në parmenda,
Armiqtë në miq erdh koha t’i kthejmë
Në mbledhjen e gjatë ‘pro’ dhe ‘kundra’ kalit,
Unë ‘kundrat’ kryesova me tërbim.
Dhe juve ju kanë thënë se aherë hyjnitë
Këtu është e lehtë që tek Laokoonti të identifikohet Kadare, i cili që nga viti 1965, kur botoi tregimin «Përbindëshi» paraqiti dhe mbrojti në letërsi tezën e krahasimit të rrezikut të revizionizmit (antistalinizmit) me atë të Kalit të Drunjtë të Trojës. Kur Ismail Kadare shkruan: «Në mbledhjen e gjatë ‘pro’ dhe ‘kundra’ kalit, / Unë ‘kundrat’ kryesova me tërbim», kuptohet qartë se ai e ka fjalën edhe për mbledhjen e famshme të zhvilluar në Sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH, nën kryesinë e Ramiz Alisë, për poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh». Në këtë mbledhje, procesverbali i së cilës do të ishte shumë interesante sikur të botohej i plotë, Kadare për një kohë të gjatë mbrojti me kryeneçësi tezën e tij të barazimit të burokratizmit me komplotizmin, duke e parë burokratizmin si kontigjent të revizionizmit, çka thuhet edhe në poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh». Kështu që Kadare, i përcakton palët në këtë mbledhje, si ata që ishin «pro kalit», pra ata që ishin kundër poezisë dhe barazimit të burokratizmit me komplotizmin, ku futeshin pjesa më e madhe e pjesëmarrësve, duke përfshirë Dritëro Agollin dhe Ramiz Alinë, si dhe në ata që ishin «kundra kalit», pra ata që ishin pro poezisë dhe barazimit të burokratizmit me komplotizmin, duke filluar nga vetë Kadare, deri tek ndonjë ultrastalinist skizofren, të cilit sot Kadare ka turp që t’ia përmendë emrin që e ka mbështetur atë ditë.
Më tutje, Kadare-Laokoonti i quan kritikët e tij më keq se gjarpërinjtë:
«Ç’përralla kalamajsh, ç’trillim për budallenjtë.
Unë gjarpërinjtë do t’i mbrapsja me një shkelm.
Po ç’t’i bëja fushatës së tradhtarëve kundër meje,
Në vargjet e mëposhtme është fare e qartë parabola që Kadare bën mes situatës ku u gjend ai kur u kritikua dhe historisë së Kalit të Trojës, siç e interpreton Kadare:
«Ditë e natë e me javë polemika vazhdonte
Nga shtresat e mesme gjer lart në qeveri.
Ishte vjeshtë.
Nën qiellin e hirnosur me erë
Pra, Kadare e paraqet debatin që bëhej për veprën e tij, mes tij dhe kritikëve, që nga viti 1965, kur doli tregimi «Përbindëshi», në 1973, kur doli «Dimri i vetmisë së madhe», deri në 1975, kur ai çoi për botim poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», si çështje nëse do të pranohej apo refuzohej alarmi për «Kalin e drunjtë» revizionist antistalinist, që kishte paralajmëruar ai. Madje Ismail Kadare shkon dhe më tutje, duke thënë se ata që e kritikuan për poezinë e tij në vitin 1975, në fakt e sulmonin se ai u kishte denoncuar skemën e «Kalit të drunjtë» me tregimin «Përbindëshi» në 1965:
Atë kalë unë i pari e kisha goditur,
Është e qartë se këtu Ismail Kadare e ka fjalën për tregimin «Përbindëshi», të botuar në 1965, ku ai e krahason revizionizmin (antistalinizmin) me Kalin e drunjtë të Trojës. Ismail Kadare e thotë qartë se ata që e kritikuan atë në 1975 për poezinë «Në mesditë Byroja politike u mblodh» ishin revizionistë të kamfluar (antistalinistë, pra edhe antienveristë), të cilët nuk ia falnin Kadaresë atë që në 1965 e kishte paralajmëruar lojën e tyre me figuracionin e Kalit të drunjtë. Kadare thotë duke u vetëprojektuar tek Laokoonti:
«Më në fund ‘vija e butë’ fitoi mbi ‘të ashprën’
Ismail Kadare, në vargjet e mësipërme, duke folur figurativisht si Laokoonti, thotë qartë se ai vetë ka qenë në krye të «vijës së ashpër», pra vijës ultrastaliniste në letërsi, e cila vijë madje mëtonte t’i jepte formula terrori masiv regjimit. Por Laokoonti-Kadare thotë se për fat të keq fitoi «vija e butë», që në këtë rast përfaqësohej nga Ramiz Alia dhe Dritëro Agolli dhe ai Laokoonti-Kadare u detyrua të përulej. Madje në vargjet e mësipërme Ismail Kadare bën një tjetër marrëzi ekstremiste, duke paralajmëruar Enver Hoxhën se kur të mos jetë gjallë ai, dhe në pushtet të vijnë ata të «vijës së butë» («pro kalit»), si Ramiz Alia, që drejtoi mbledhjen ku u kritikua Kadare, atëherë Kadarenë do ta arrestojnë si enverist, në procesin e deenverizimit, në analogji me destalinizimin që bëri Hrushovi në Bashkimin Sovjetik, pas vdekjes së Stalinit. Kadare shkruan:
«Në burg, me gotën e ujit, në mesnatë
Helmin më dhanë ata të pi,
Ata që ulërinin kundër dhunës dhe shpatës,
Që dinin të kafshonin tamam si gjarpërinj
Në mëngjes që pa gdhirë në breg të detit
Ma hodhën kufomën drejt mbi zhavorr.
Rapsodët aherë anembanë përhapën
Pra, Laokoonti-Kadare i thotë Enver Hoxhës-Priam se këta që po më kritikojnë mua sot, nesër, kur t’i të mos jesh gjallë, dhe këta të ndryshojnë kursin duke u bërë antienveristë, do të më arresojnë mua si enverist, madje do të më eliminojnë fizikisht. Kadare i thotë Enver Hoxhës se ata që më kritikojnë mua sot si kriminel, që kam predikuar gjakderdhje masive, nesër do të më vrasin pa gjak, me helm si gjarpërinj. Këtu kuptohet hapur se «gjarpërinj» quhen Ramiz Alia dhe Dritëro Agolli. Më tutje Laokoonti-Kadare tregon me trishtim për Shqipërinë e pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe eliminimit të Kadare, të sunduar nga revizionistët e vijës «pro kalit»:
«Ky ishte mbarimi i polemikës për kalin,
Ju e dini me Trojën ç’ndodhi pastaj.
Tre mijë vjet rresht,
nga muzeu në muzera,
Më tutje, Laokoonti-Kadare u drejtohet sa brezave të ardhshëm, aq edhe vetë Enver Hoxhës, duke i thënë se atë (Kadarenë) e pezmaton më shumë fakti që Enver Hoxha mori anën e «vijës së butë» («pro kalit»), duke dalë praktikisht kundër Kadaresë, se kritikët e tij që i quan «peshë e neveritshme gjarpërinjsh»:
«Më kanë lodhur shumë, besomëni ca fjalë,
Se kjo peshë e neveritshme gjarpërinjsh.
Ju që gjer në hënë keni shkuar si vallë
Kështu, në imazhin e Laokoontit të kapluar nga gjarpërinjtë, Ismail Kadare paraqet vetveten në raport me kritikët e tij. Por Enver Hoxha ishte një diktator i zgjuar dhe ai e dinte mirë se nëse depërtonte deri në gjoksin e shkrimtarit të parë të oborrit të tij, nuk do të gjente tjetër veç një ultrastalinizëm, madje polpotizëm pragmatik, të llogaritur për t’u dukur siç i thonë fjalës më ruajalist se mbreti. Nëse Enver Hoxha do të merrte anën e «Laokoontit» të tij, Kadaresë, atëherë duhej që Enver Hoxha të bëhej Pol-Poti i Shqipërisë, gjë që Enver Hoxha nuk donte ta bënte. Prandaj Enver Hoxha u mjaftua duke lejuar që Kadarenë ta kritikojnë dhe ta detyrojnë të bëjë autokritikë, por jo ta ndëshkojnë, siç prisnin disa. Ismail Kadare duket se këtë gjë nuk e duron dot, se ai shkruan, duke folur me gojën e Laokoontit:
«Vërtiteni,
Flisni për teatrin, për plazhet,
Për gjithfarë motorësh e gjithfarë qeverish,
Pa ju shkuar mendja se ai mund të shfaqet
Në një ditë të rëndomtë, një mëngjes me shi
...
Në pafshi ndonjë ditë të bëhem copëra;
Nga marazi, siç thonë, të plas, t’ia bëj ‘krak’,
Jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë monstra,
Por indiferenca juaj
Pra, Kadare thotë se ai mund të pëlcasë nga marazi ngase nuk e pa Enver Hoxhën të merrte «vijën e ashpër», «kundër kalit» dhe të bëhej Pol-Poti i Shqipërisë, duke e përmbytur vendin në lumenj gjaku. Poezia «Laokoonti» është një sfidë që Ismail Kadare i bënte Ramiz Alisë, i cili pas spastrimeve të viteve 1974-1975 në udhëheqjen komuniste, ishte duke u afirmuar si pasardhësi i zgjedhur i Enver Hoxhës. Të gjithë ata që kuptonin diçka, e lexuan poezinë «Laokoonti» si një denoncim të Ramiz Alisë, si revizionist, tek Enver Hoxha, çka do të thoshte se Kadare po i kërkonte diktatorit që të eliminonte fizikisht delfinin e tij. Ismail Kadare e kishte dhënë kodin për të lexuar poezinë «Laokoonti» që para se ta shkruante, në mos e kishte shkruar(?!), në një intervistë tek «Zëri i Rinisë», në 1973, që e kam cituar më lart, dhe madje e dha përsëri kodin, pas botimit të poezisë, në një intervistë të botuar në vitin 1979, në revistën «Nëntori». Sigurisht që Ramiz Alia kuptoi gjithçka dhe ai që atëherë e ka përbuzur dhe urryer Kadarenë, për këtë gjë. Por Ramiz Alia ishte një politikan i sprovuar, një makiavelist i përkryer, dhe u kujdes që të mos e demonstronte këtë në sjelljen e tij me Kadarenë. Një reagim i Ramiz Alisë ndaj poezisë-denoncim «Laokoonti» është incidenti që i ndodhi familjes së Ismail Kadaresë me djalin e Janulla Rrapit dhe vetë këtë të fundit, ngjarje për të cilën Kadare thotë se nuk mund të ndodhte pa lejën e pushtetit, dhe në atë kohë (1982), pushteti kishte kaluar pothuajse krejt në duart e Ramiz Alisë, për shkak se diktatori nuk ishte i aftë nga gjendja shëndetësore për ta ushtruar atë.
Ismail Kadare e përpunoi tregimin «Përbindëshi» pas vitit 1965 dhe e botoi atë më vonë, fillimisht në vitin 1986, në përmbledhjen me tregime dhe novela «Koha e shkrimeve», nën titullin «Rënia e Trojës» (f. 100-126), dhe pastaj në vitin 1991 si roman, duke vënë në fund të librit shënimin se ai ishte shkruar në vitet 1965-1990. Ismail Kadare e dorëzoi romanin «Përbindëshi» në shtëpinë botuese, në 1990, para se të largohej nga Shqipëria për në Francë dhe ai doli në qarkullim në shkurt 1991.
Është një ngjarje kurioze që tregon pozicionimin e Kadaresë pas vdekjes së Enver Hoxhës, fakti që Kadare mori guximin të çonte për botim dhe madje të botonte tregimin «Përbindëshi» në vitin 1986, siç e thashë më sipër, në përmbledhjen me tregime dhe novela «Koha e shkrimeve», nën titullin «Rënia e Trojës» (f. 100-126). Ribotimi i «Përbindëshi» erdhi në kohën që në Bashkimin Sovjetik të Gorbaçovit kishte filluar të ndihej era e ndryshimeve, që po ndiqej me interes edhe në Shqipëri në rrethet liberale intelektuale dhe në shtresat e popullsisë të goditur nga lufta e klasave. Në këtë periudhë shprese, Kadare ribotoi «Përbindëshin», duke paralajmëruar për rrezikun e «Kalit të drunjtë», çka do të thoshte se pas çdonjërit që propozonte ndryshime fshihej në fakt armiku i lidhur me revizionistët dhe Perëndimin që donte përmbysjen e sistemit shoqëror komunist stalinist në Shqipëri. Propozimet për ndryshime, të çfarëdolloji qofshin, nuk ishin gjë tjetër veçse «Kali i drunjtë» që fshihte «komandosët» e përmbysjes. Prandaj, ribotimi i «Përbindëshit» ishte një ftesë për refuzimin deri edhe eliminimin e «kalit të drunjtë», pra refuzimin e çdo propozimi për ndryshime të çfarëdolloji tek sistemi shoqëror-ekonomik të lënë trashëgim nga Enver Hoxha, si dhe praktikisht për eliminimin e atyre që kërkonin ndryshime. Sigurisht që Ismail Kadaresë nuk mund t’i kërkohej që të tregohej aq i guximshëm sa të shkruante diçka ku të aludonte për ndryshime, por ama atij duhet t’i kërkohet të tregojë se përse u tregua aq stalinist ekstremist dhe cinik, sa të botonte një gjë të tillë.
Në tregimin «Rënia e Trojës» tregohet historia e Gent Ruvinës, një studenti shqiptar të porsakthyer në Tiranë nga Bashkimi Sovjetik, ku kishte ndërprerë studimet, për shkak të prishjes së marrëdhënieve. Tregimi është autobiografik, se Kadare fut si personazh dhe një studente bionde me emrin Helena, me të cilën Genti njihet në atë kohë në Tiranë. Por kjo është historia e vetë jetës së Kadaresë, se ai ishte kthyer nga Moska në atë periudhë, dhe gruaja e Kadaresë, me të cilën u njoh në atë periudhë, quhet Helena, është bionde, dhe ka studiuar për gjuhë-letërsi. Në tregimin e Kadaresë Helena pasi njihet me Gentin pranon propozimin e këtij të fundit që të ndahet nga i fejuari dhe të ikin bashkë. Këtu fillon analogjia me historinë e Luftës së Trojës, duke qenë Genti si Paridi, ndërsa Helena, si Helena. Në tregim i fejuari i Helenës del si Menelau, burri i Helenës, që bën gjithçka që ta rifitojë të fejuarën, deri edhe duke e kërcënuar me vdekje Helenën. Në këtë pikë Genti-Parid fillon të shikojë një analogji mes kësaj situate dhe vetë Luftës së Trojës, edhe për shkak të situatës së përgjithshme në të cilën gjendet vendi në atë kohë. Ismail Kadare shkruan kështu në tregimin «Rënia e Trojës»:
«Bashkë me shirat e të ftohtët e vjeshtës marrëdhëniet me kampin socialist po ftoheshin çdo ditë dhe pavarësisht se shtypi dhe radioja nuk flisnin hapur për këtë gjë, ajo dihej tani nga të gjithë. Përreth flitej përherë e më tepër në mënyrë të përgjithshme për tradhti, për marrje të kështjellës së socializmit nga brenda, për vigjilencë dhe për Kalin e Drunjtë që ishte shfaqur përsëri në horizontin e jetës.
- E shikon? - i thoshte ai asaj kur dëgjonin radion ose kur lexonin në gazetën letrare vjersha të poetëve me këto motive. - S’jemi vetëm ne të dy që kujtuam ngjarjen e Trojës.
Ndërkaq nga të gjitha anët filluan të dukeshin afishe të mëdha: ‘Të mendojmë e të jetojmë si në rrethim’, dhe vërtet nga të gjitha këto në përfytyrimin e tij, ashtu si në përfytyrimin e shumë njerëzve, vendi nisi t’i ngjante një fortese të rrethuar, pak a shumë të afërt me Trojën».[13]
Por Shqipëria e kohës për të cilën flet Kadare nuk ishte e rrethuar si Troja, por e vetizoluar. Bashkimi Sovjetik i kishte prerë marrëdhëniet me të, për shkak të shkëmbimeve gjeopolitike me SHBA, duke e dëbuar Shqipërinë nga perandoria sovjetike, dhe Shqipëria e Enver Hoxhës nuk donte as të hapej kah Perëndimi si Jugosllavia e Titos. Enver Hoxha e paraqiste vetizolimin si rrethim, dhe Kadare i shërbente duke bërë krahasimin e Shqipërisë me Trojën. Por nëse Troja pranoi rrethimin për fytyrën e bukur të Helenës, sipas mitit, Shqipëria po vetizolhej për mustaqet e Stalinit. Ja si i shpjegon Enver Hoxha arsyet se përse e bëri «Trojë» Shqipërinë, në bisedë me Hrushovin në Moskë, të cilën Kadare e citon tek «Dimri i madh»:
«Jo, - tha Enver Hoxha, - ne nuk goditëm njeri. Përkundrazi, ne u mallkuam si heretikë, sepse nuk iu bindëm urdhrit tuaj për të goditur një parti motër. Dhe kjo ishte vetëm njëra prej kontradiktave që kemi me ju. Ju e dini se ne prej kohësh nuk jemi dakord me ju për një sërë çështjesh. Neve nuk na pëlqen paternalizmi juaj, ne nuk kemi qenë dakord që ju ndërhytë në Hungari pa u konsultuar edhe me ne, neve nuk na pëlqen trajtimi që i bëtë çështjes së Stalinit. Veç kësaj ne nuk jemi në një mendje me ju në lidhje me qendrimin ndaj Jugosllavisë, nuk na pëlqen përulja juaj, - ai deshi të shtonte ‘prej provinciali’, por aty për aty ndërroi mendje, - përulja juaj ndaj Perëndimit. Gjithashtu s’jemi dakord për disa çështje të tjera parimore. Ne nuk jemi aq optimistë sa ju. Ne nuk besojmë shumë në rrugët parlamentare të triumfit të komunizmit».[14]
Shkurt, Enver Hoxha po e bënte Shqipërinë «Trojë» staliniste me delirin e rrethimit, e armiqësuar jo vetëm me Lindjen, por edhe me Perëndimin, për mustaqet e Stalinit, për shkak se nuk qe dakord që Hrushovi u pajtua me Titon, i cili u afrua me Perëndimin, për shkak se Hrushovi nuk e pyeti për ndërhyrjen ushtarake në Hungari në 1956 (Enver Hoxhës për këtë gjë megjithatë nuk duhet t’i ketë ardhur keq, pasi ai e pati këshilluar, që para se ta bënte Hrushovi, ndërhyrjen në Hungari, e cila donte të afrohej me Perëndimin), si dhe për shkak se liderët sovjetikë nuk tregoheshin sa duhej të ashpër me Perëndimin. Për këto po izolohej Shqipëria. Tekefundit për antioksidentalizëm. Enver Hoxha e shpalli publikisht Shqipërinë «Trojë» me delirin e rrethimit, në fjalimin e mbajtur në Tiranë në 7 nëntor 1961, në solemnitetin me rastin e 20-vjetorit të krijimit të PPSH dhe 44-vetorittë Revolucionit të Tetorit, tha fjalët famëkeqe:
«Në qoftë se Hrushovi e pasuesit e tij, për një arsye apo për një tjetër nuk duan të na ndihmojnë, më kot presin që ne t’u drejtohemi për ‘lëmoshë’ imperialistëve e aleatëve të tyre. Populli ynë ka miq e shokë në vendet socialiste që nuk e kanë lënë e nuk e lenë atë në baltë. Populli shqiptar dhe Partia e tij e Punës do të rrojnë edhe me bar po të jetë nevoja, por kurrë nuk do të shiten ‘për 30 aspra’, se ata preferojnë më mirë të vdesin në këmbë e me nder se sa të rrojnë me turp e të gjunjëzuar».[15]
Pra, Enver Hoxha e bëri të qartë se nuk do të kishte orientim të Shqipërisë nga Perëndimi pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, sikur pati ndodhur me Jugosllavinë pas vitit 1948, kur Tito u prish me Stalinin. Dhe kjo qe e kuptueshme, pasi Enver Hoxha u prish me Hrushovin se ky hodhi poshtë kultin e Stalinit. Shqipëria do të qe këtej e tutje njëlloj armike e bllokut lindor me në krye Bashkimin Sovjetik dhe e Perëndimit kapitalist me në krye SHBA, një vend stalinist i izoluar midis dy blloqeve, duke pasur vetëm miqësinë me vlerë të dyshimtë të Kinës maoiste. Praktikisht kjo u interesonte armiqve të Shqipërisë, në kuptim afatshkurtër dhe afatgjatë.
Ismail Kadare e mbyll tregimin «Rënia e Trojës», me atë që Gent Ruvina i thotë Helenës se po shkruan një interpretim të mitit të Kalit të Drunjtë, duke u nisur nga ajo që po u ndodh atyre të dyve, dhe situata në Shqipëri:
«Pastaj ai i kishte thënë se shumë qytete në botë kishin pasur përballë Kalin e tyre të Drunjtë dhe fakti që në kohën e tanishme flitej kaq shumë për të, kjo do të thoshte se Kali i moçëm ishte shfaqur përsëri. S’ka rëndësi se është në formë furgoni, apo zyre, apo veture qeveritare, vazhdoi ai. Ai është shfaqur dhe kjo është kryesorja. Më kupton Leni, duhet të jesh i verbër që të mos e shikosh».[16]
Duke qenë se Kadare e evokon «Kalin e drunjtë» me simbolikën e diversionit revizionist (antistalinist) dhe perëndimor kapitalist kundër regjimit stalinist shqiptar, atëherë duke thënë në 1986 se «Kali i drunjtë» është shfaqur, që nga njerëzit e thjeshtë(furgoni), deri në zyrat qeveritare, ai praktikisht denoncon si «komandos» të fshehur në «Kalin e drunjtë», të gjithë ata që kërkonin ndryshime të çfarëdolloji në atë kohë, që nga njerëzit e thjeshtë, tek të pushtetshmit. Pra, ribotimi i «Përbindëshit» në 1986, nuk mund të interpretohej si një zbutje e vijës së regjimit në letërsi, për shkak se vetë Kadare e kishte bërë të qartë me poezinë «Laokoonti» se me tregimin «Përbindëshi» ai kishte bërë thirrje që regjimi të adoptonte një vijë më të ashpër ultrastaliniste. I vetmi interpretim për ribotimin e «Përbindëshit» në 1986, në kohën kur në Bashkimin Sovjetik filloi era gorbaçoviane, ishte se Kadare po flirtonte me krahun ultrakonservator të regjimit komunist, që shikonte me dyshim dhe kundërshtim çdo gjest sado të vogël hapjeje dhe lehtësimi të diktaturës, qoftë edhe të supozuar, nga ana e Ramiz Alisë. Kush i dha kurajë Kadaresë të ribotonte tregimin «Përbindëshi»? Sigurisht që jo Ramiz Alia, por ata që donin ta ngacmonin Ramiz Alinë. Unë nuk them se Ramiz Alia kishte ndërmend të ecte më shpejt se ç’eci në ndryshimin e regjimit, por ama është e sigurt se kishte një grupim në udhëheqjen komuniste, që dyshonte se Ramiz Alia donte të bënte këtë gjë, dhe Kadare ishte bërë aleat me këtë grupim. Duke ribotuar tregimin «Përbindëshi» Kadare në fakt tregoi se vizioni i tij për të ardhmen e popullit shqiptar ishte që të mbytej nga «gjarpërinjtë» ultrastalinistë dhe polpotistë, atëherë kur popujt e tjerë të Lindjes komuniste po çliroheshin nga «gjarpërinjtë».
Gjëja më interesante është se Kadare vazhdoi ta përpunonte këtë tregim të tij edhe pas vitit 1986, duke e shndërruar në roman, të cilin e dorëzoi në shtëpinë botuese në 1990, me titullin e vitit 1965 «Përbindëshi» dhe që doli në qarkullim në shkurt 1991, siç tregon dhe shënimi tek libri. Tek romani «Përbindëshi» gjendet i pandryshuar paragrafi që kam cituar më lart dhe ku bëhet parabola mes Shqipërisë dhe Trojës:
«Bashkë me shirat e të ftohtët e vjeshtës marrëdhëniet me kampin socialist po ftoheshin çdo ditë dhe pavarësisht se shtypi dhe radioja nuk flisnin hapur për këtë gjë, ajo dihej tani nga të gjithë. Përreth flitej përherë e më tepër në mënyrë të përgjithshme për tradhti, për marrje të kështjellës së socializmit nga brenda, për vigjilencë dhe për Kalin e Drunjtë që ishte shfaqur përsëri në horizontin e jetës.
- E shikon? - i thoshte ai asaj kur dëgjonin radion ose kur lexonin në gazetën letrare vjersha të poetëve me këto motive. - S’jemi vetëm ne të dy që kujtuam ngjarjen e Trojës.
Ndërkaq nga të gjitha anët filluan të dukeshin afishe të mëdha: ‘Të mendojmë e të jetojmë si në rrethim’, dhe vërtet nga të gjitha këto në përfytyrimin e tij, ashtu si në përfytyrimin e shumë njerëzve, vendi nisi t’i ngjante një fortese të rrethuar, pak a shumë të afërt me Trojën».[17]
Në roman shfaqet «Kali i Drunjtë» para qytetit, i simbolizuar nga një furgon i braktisur, brenda të cilit rrinë ata që duan të shkatërrojnë qytetin, konspiratorët. Në roman është personazh dhe i fejuari i Helenës (asaj shqiptare), që quhet Maks dhe që ka hyrë në «Kalin e drunjtë»-furgon, duke u bashkuar me konspiratorët, për t’u hakmarrë për humbjen e ish-të fejuarës Helenës, jo vetëm ndaj saj, por ndaj gjithë qytetit. Kadare në roman zgjeron idenë që gjendet në qendër të poezisë «Laokoonti», duke thënë:
«Gjatë rrethimit tepër të gjatë, në pushimet midis betejave, grekët s’kishin qëndruar duarkryq. Me mënyra të ndryshme ata kishin arritur ndërkaq të bënin për vete një pjesë të trojanëve, kryesisht nëpunësa të rretheve të mesme e të larta. Me një fjalë, ata kishin arritur të krijonin një fraksion ‘pro grek’ midis të rrethuarve. Qenien e këtij fraksioni e vërteton polemika në këmbët e Kalit të Drunjtë, në mbasditen para natës fatale. Kali i pikturuar mbi një pjesë të portave të shtëpive trojane, që s’duhej të prekeshin prej grekëve, tregon se kolaboracionistët ishin jo të pakët në Trojë. Krahu ‘pro grek’ kërkonte marrëveshje me grekët, krahu kundërshtar, i kryesuar nga Laokoonti, që u ndëshkua egërsisht më pas, kërkonte vazhdimin e luftës. Me një fjalë, grekët kishin arritur një farë depërtimi brenda në Trojë, depërtim që legjenda, distanca e kohës dhe prirja e natyrshme e njerëzve për të mbledhur në simbole të thjeshta ngjarje të ngatërruarae kishin shndërruar në një kalë-dhuratë prej druri».[18]
Duke konsideruar kuptimin simbolik ideologjik që Kadare i ka dhënë «Kalit të drunjtë» në Shqipëri, këto rreshta, të çuara për botim në vitin 1990, dhe të botuara në shkurt 1991, dy muaj pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, dhe një muaj para zgjedhjeve të para parlamentare pluraliste në vend, nuk kishin kuptim tjetër veç atij të një denoncimi që Kadare u bënte si tradhtarë, nga pikëpamaja enveriane-staliniste, Ramiz Alisë dhe atyre që ndryshuan sistemin politik-shoqëror të lënë trashëgim nga Enver Hoxha. Sipas atyre që shkruan më lart Kadare del se ai ka ikur nga Shqipëria në tetor 1990 se nuk ishte dakord me ndryshimin e sistemit politik, që dukej qartë se po e bënte Ramiz Alia. Kadare ka ikur nga frika e ndëshkimit prej atyre të «Kalit të Drunjtë», që siç thotë vetë tek «Laokoonti», nuk do t’ia falnin që i kishte goditur i pari. Duket qartë se botimi i romanit «Përbindëshi» në shkurt 1991 është bërë me influencën e qarqeve konservatore enveriane.
Në Shqipëri pluralizmi politik erdhi si një skenar i konceptuar në Komitetin Qendror të PPSH dhe i zbatuar prej tij. Kur filloi procesi i ndryshimeve politike në vendet komuniste të Europës Lindore, regjimi komunist shqiptar mendoi se do të mund t’i evitonte ato dhe do të mbijetonte, për shkak të situatës në Ballkanin Perëndimor, ku Jugosllavia që ishte në procesin e shpërbërjes ishte duke shkuar drejt luftës, që pritej të fillonte në veri të saj për të zbritur në jug. Atëherë kancelaritë perëndimore, duke e parë këtë luftë të paevitueshme, donin që së paku ajo të mos dilte krejt jashtë kontrollit, duke filluar njëkohësisht në të gjithë hapësirën e Jugosllavisë, çka do të implikonte dhe vendet fqinje. Në këtë pikë, Perëndimit i interesonte që Shqipëria të ishte stabile, pasi në rast se Shqipëria do të hynte në kaos, duke qenë dhe shumë e militarizuar, ajo do të bëhej në kuptimin e plotë të fjalës placdarmi prej ku do të fillonte një lëvizje e armatosur në Kosovë dhe në pjesën shqiptare të Maqedonisë.
Në këtë situatë, udhëheqja komuniste shqiptare mendoi se Shqipëria do të trajtohej nga Perëndimi si një rast i veçantë dhe se regjimit komunist shqiptar do t’i tolerohej që, në këmbim të dhënies së garancisë për stabilitetin e Shqipërisë, të bënte vetëm ndryshime dekorative, si atë që Ramiz Alia e quajti «pluralizmi i mendimeve» dhe pluralizmi politik ku PPSH të kishte si alternativë ato që me Kushtetutë ishin levat e saj, organizatat e masave. Në elitën e regjimit komunist shqiptar kishte dy linja. Njëra që thoshte se në rast se Perëndimi nuk e pranonte ofertën e Tiranës për ta trajtuar Shqipërinë si një rast të veçantë, atëherë të zbatohej skenari i pluralizmit politik të kontrolluar (në këtë krah ishte Ramiz Alia). Këta mendonin se termini i fundit i rezistencës ishte nëntori i vitit 1990, kur mbahej një mbledhje e kryetarëve të shteteve të KSBE (Konferenca për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Europian), sot OSBE, kur Shqipëria priste të miratohej kërkesa e saj për anëtarësim. Në rast se kërkesa nuk pranohej, atëherë mbetej të zbatohej skenari i pluralizmit të kontrolluar. Linja tjetër mendonte se duhej luajtur bluff-i me Perëndimin, duke mos u bërë pluralizmi politik edhe pas mospranimit në KSBE, në nëntor, se Perëndimi, për shkak të situatës në Ballkan, do të detyrohej të pranonte alternativën e regjimit komunist shqiptar. Kadare luajti me të dy linjat. Ai nga një anë shkoi në tetor 1990 në Paris, ku edhe pse gjoja i arratisur nga Shqipëria komuniste, bënte lobing që Shqipëria të pranohen në KSBE (me argumentin se kështu populli shqiptar nuk do të ndihej i braktisur), çka u interesonte të dy krahëve të regjimit komunist shqiptar, ndërsa në të njëjtën kohë kishte çuar për botim në Shqipëri romanin «Përbindëshi», ku i quante tradhtarë ata që kërkonin të bënin pluralizmin politik.
Kërkesa e Shqipërisë komuniste u refuzua falë kundërshtimit të fortë të SHBA që kërkoi ndryshime politike në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera të Lindjes komuniste. Meqë ky plan i regjimit komunist dështoi, atëherë regjimit komunist shqiptar nuk i mbeteshin veç këto alternativa: E para, të shpallte falimentin politikisht dhe të dorëzonte pushtetin, pasi në verën e atij viti (1990) kishte shpallur falimentimin ekonomik, duke mbyllur industritë në vend dhe duke vënë pagesën prej 80 për qind të pagës pa punuar për punëtorët. Ky falimentim ekonomik erdhi sepse ekonomia komuniste shqiptare që, pavarësisht se çfarë thoshte propaganda e regjimit komunist, ishte praktikisht pjesë e ekonomisë së kampit socialist (KNER) për shkak se mbahej me anë të tregtisë me klering (eufemizëm për shkëmbimin në natyrë mall me mall), dhe kur vendet komuniste të Lindjes e braktisën këtë formë tregtie duke hyrë në shkëmbimet e modelit kapitalist drejtpërdrejt me valutë, ekonomia shqiptare ra në kolaps të plotë. Rezervat ishin në minimum dhe regjimi komunist thjesht nuk dinte si ta ushqente popullin, me anë të ekonomisë së planifikuar në kolaps. Regjimi komunist shqiptar kishte llogaritur që të mbijetonte duke marrë ndihma nga Perëndimi që do të kishte interes të paguante regjimin shqiptar për të ruajtur stabilitetin në vend dhe për të garantuar se nuk do të lejonte që Shqipëria të bëhej terren i përshtatshëm për të favorizuar fillimin e luftës në trojet shqiptare në Jugosllavi. Tashmë kjo nuk u bë e mundur për shkak të kundërshtimit amerikan dhe regjimit komunist i mbetej që nëse rezistonte ta çonte vendin në një situatë kur do të kishte një krizë humanitare ekstreme në vend, me rrezikun që gjysma e popullsisë të vdiste nga uria dhe kur regjimi do të ishte i detyruar t’i drejtohej botës për ndihmë, çka do të çonte në fundin e regjimit duke u shpërbërë dhe partia-shtet, PPSH. Këtë gjë regjimi donte ta evitonte.
Alternativa e dytë ishte që regjimi komunist të zbatonte me ngut Planin B, që ishte instalimi i pluralizmit politik, duke inskenuar një lëvizje politike qytetare që e kërkonte atë, në mënyrë që ndryshimit politik të bërë nga regjimi t’i vihej një «gjethe fiku» për kamuflim. Kështu në zyrat e Komitetit Qendror të PPSH u inskenua e ashtuquajtura Lëvizja Studentore e Dhjetorit ku një lëvizje studentësh për kërkesa ekonomike, e bërë në kuadrin e pluralizmit ramizian të mendimit, u shndërrua në lëvizje politike, me kërkesa për pluralizmin politik, të paraqitura nga një grup studentësh dhe intelektualësh të privilegjuar të regjimit, të instruktuar nga instruktorët e Komitetit Qendror të PPSH. Në mënyrë që këta njerëz që do të luanin rolin e liderëve të lëvizjes të mos shkonin «për dhjamë qeni», siç u tha nga një nga instruktorët, duke u dhunuar gabimisht nga forcat policore që do të bënin farsën e tentativës për ta shtypur lëvizjen, këta studentë dhe intelektualë të zgjedhur u veshën të parët me xhupa lëkure të zinj dhe elegantë, që në atë kohë nuk kishte pothuajse asnjë mundësi për t’i gjetur kurrkush veç regjimit, si dhe të dytët me pardesy të bardha që u blenë me ngut në Greqi në sasi të madhe një javë para fillimit të lëvizjes.
Këta studentë dhe intelektualë të zgjedhur ishin instruktuar gjatë tre muajve deri edhe në kurse të bëra nga aktorë të besuar, në mënyrë që të dinin si të flisnin para turmave, se regjimi komunist kishte preokupimin nëse këta njerëz do të mund ta realizionin misionin e tyre, duke mbledhur turmat dhe duke i hipnotizuar me karizmën dhe oratorinë e tyre, apo farsa do të dështonte. Këta njerëz do t’i bënin dy shërbime regjimit komunist. Së pari, do t’i bënin të mundur që të bënte ndryshimet politike, pa u dukur ato shumë si një lojë e regjimit për mbijetesën e vet në një metamorfozë politike djallëzore. Ky është krimi i madh i atyre studentëve dhe intelektualëve që mburren dhe sot e kësaj dite se kanë qenë në Lëvizjen e Dhjetorit. Ata i dhanë mundësi regjimit komunist të zbatonte skenarin-farsë të vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, me kërkesë nga poshtë dhe me aprovim nga lart, sipas skemës tradicionale të atij regjimi. Në ato momente më e mira ishte që të lihej regjimi të mbytej në batakun ku kishte hyrë. Nëse nuk do të kishte ndodhur farsa e vendosjes së pluralizmit në dhjetor 1990, pas Lëvizjes studentore, regjimi do të kishte qenë i detyruar të shpallte falimentimin e plotë shtetëror dhe ekonomik dhe atëherë gjërat do të mund të ecnin më mbarë në Shqipëri. Lëvizja studentore dhe udhëheqja intelektuale e saj, që u bënë liderët e opozitës që doli nga lëvizja e dhjetorit, e shpëtuan regjimin nga shpallja e falimentimit shtetëror dhe ekonomik.
Kadare në romanin «Përbindëshi» e përshkruan kështu atë që i ndodhi qytetit (Tiranës), për shkak se pranoi «Kalin e drunjtë»-furgon, sipas skenave që imagjinon Konstruktori i «Kalit të drunjtë»:
«Qyteti po fle i lodhur pas festës, tha Konstruktori me vete. Ai do të vdesë në gjumë, pa i hapur dot mirë sytë e llahtarisur. Kur arriti në një udhëkryq të gjerë dhe ktheu kokën pas për të parë se sa ishte larguar nga kali, befas pa flakët e para. Ato ngriheshin tutje, në drejtim të aeroportit. Me sa dukej, po digjej ndërtesa e madhe e radiostacionit. Filloi, tha me vete. Eci më tutje dhe pa përsëri flakë nga e djathta. Ishte pallati i kryeministrisë. Pastaj flakët filluan të duken nga të katër anët e horizontit. Ishin flakë të mëdha dhe të çuditshme, flakë të zbehta, gati-gati të bardha, që lëpinin në mënyrë të heshtur qiellin e dhjetorit. Ndoshta dukeshin kështu të zbehta, të bardha, ngaqë ishte mesditë, por sidoqoftë, flakë të tilla ai s’kishte parë kurrë. Megjithatë, kjo nuk e çuditi aspak. Tani digjeshin rresht, njëra pas tjetrës, ndërtesa e Bankës Kombëtare, Fabrika e këpucëve, Biblioteka Shtetërore, Hoteli i madh i Turizmit. Në fund të rrugës kryesore zbardhnin flakë mbi stacionin hekurudhor. Ai ishte larguar mjaft dhe, kur ktheu kokën, kali mezi dukej midis flakëve. U kthye përsëri. Pa arritur në qendër, u ndesh me të varurit e parë. Ata lëkundeshin të heshtur në shtyllat e telefonit. Më tutje të shtrirë njëri pas tjetrit në trotuar, pranë pellgjeve të vegjël me gjak, dergjeshin të pushkatuarit... Gjithçka po kryhet në mënyrë të përpiktë mendoi. Odisea K. e kish përsëritur kaq herë: ‘Në kohën që flakët do të përpijnë qiellin, në rrugë do të shfaqen të varurit dhe të pushkatuarit e parë’».[19]
Ky paragraf përmban një kumt të koduar shumë interesant, po të konsiderojmë ngjarjet që po ndodhnin në Shqipëri, në vitin 1990, kur Kadare e çoi romanin për botim. Ajo çka kërkon Kadare të kumtojë në mënyrë të koduar në paragrafin e cituar më lart është se pluralizmi që po bënte Ramiz Alia në 1990 ishte një reaksion i djathtë, siç quhej në gjuhën komuniste, i nxitur nga revizionistët dhe Perëndimi kapitalist, dhe se ky ndryshim do të sillte një masakër ndaj komunistëve. Kadare thotë se flakët e para të djegies së qytetit nga komandot e dalë nga «Kali i drunjtë» u shfaqën tek aeroporti. Këtë e bën qëllimisht, duke aluduar se e keqja vjen prej aeroportit nga ku në 1990 vinin të dërguar nga Perëndimi që i kërkonin Ramiz Alisë ndryshime. Por Kadare me këtë kërkon të thotë edhe se me hapjen e vendit nga aeroporti do të vijë diaspora antikomuniste për t’u hakmarrë. Personazhi që shikon qytetin që digjet, i shikon flakët e para në anën e djathtë. Kjo ka një kuptim simbolik, atë se me vendosjen e pluralizmit politik do të ngrihet e djathta e shtypur, antikomunistët, dhe do të djegin e vrasin për hakmarrje ata që i shtypën deri dje. Jo rastësisht Kadare thotë se flakët e mëdha u panë tek pallati i kryeministrisë, dhe nuk përmend as selinë e partisë në pushtet, dhe as atë të kryetarit të shtetit. Në 1990 kryeministër ishte Adil Çarçani, që shikohej si kreu i krahut në udhëheqjen komuniste që ishte kundër ndryshimeve. Adil Çarçani ishte gjirokastrit, si Kadare. Kadare e bën atë objektivin parësor të sulmit të njerëzve të «Kalit të drunjtë», pra e paraqit si njeriun që ka të drejtë. Jo rastësisht Kadare nuk shikon flakë tek selia e partisë në pushtet, dhe as tek ajo e kryetarit të shtetit se në 1990 të dy këto poste i mbante Ramiz Alia, të cilin Ismail Kadare e kishte denoncuar që në 1976 si njeriu i fraksionit pro «Kalit të drunjtë». Në romanin e Kadare shkatërrimi i qytetit ndodh në dhjetor. Kjo nuk është vënë rastësisht. Kur Kadare e çoi romanin për botim në 1990, ai duket se kishte një informacion, ndoshta nga Adil Çarçani, se Ramiz Alia në dhjetor të atij vitit do të lejonte pluralizmin politik, dhe se duhej bërë diçka që kjo të ndalohej se ishte e rrezikshme për të gjithë nomenklaturën komuniste, edhe për Kadarenë. Dhe Kadare e bëri të vetën. Kadare edhe në 1990 e rimori temën e poezisë «Laokoonti» në një roman.
Poezia «Laokoonti» është çelësi për të zbërthyer qëndrimin e Kadaresë në kohën e komunizmit. Duke përdorur këtë çelës ne zbulojmë se Kadare ka qenë në krahun ultraekstremist të regjimit, në krahun ultrastalinist, polpotist, të cilin për hir të së vërtetës e frenoi edhe vetë Enver Hoxha, si dhe Ramiz Alia. Ramiz Alia sigurisht që bëri një ndryshim të komanduar të sistemit komunist, sipas një skenari të mbrapshtë, por megjithatë tekefundit, më keq se ky qëndrim i Ramiz Alisë, ishte ai i krahut ultrakonservator të regjimit komunist, mes të cilëve ishte Adil Çarçani, por edhe Kadare.
Ismail Kadare në librin e vet «Nga një dhjetor në tjetrin» botuar në vitin 1991 në Francë, pretendon se ai qe në krye të lëvizjes intelektuale për ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri në vitin 1990. Ky është një pretendim i habitshëm, duke qenë se Kadare pati qenë njeriu që i pati thurrur himne qenit të kufirit, sigurimsave, si dhe që pati ndërtuar skema monstruoze të terrorit masiv. Këtë pretendim Kadare e bën duke qenë se në pranverë 1990 i shkroi një letër Ramiz Alisë ku i kërkonte ndryshime, si dhe duke qenë se botoi një intervistë me këto ide tek «Zëri i Rinisë». Ismail Kadare i paraqet gjërat sikur lëvizja intelektuale për ndryshim në Shqipëri filloi realisht me botimin e romanit të Neshat Tozajt «Thikat», në vjeshtë 1989, botim në të cilin Kadare qe recensent dhe për këtë roman publikoi një shkrim lavdërues në gazetën «Drita», në 15 tetor 1989. Për këtë arsye, pretendon Kadare, emri i tij dhe i Neshat Tozajt qenë në krye të listave që bënte Sigurimi i Shtetit për të bërë represion mbi intelektualët. Ja se si shkruan Kadare:
«Qysh në vjeshtë të vitit të kaluar, pas daljes së romanit ‘Thikat’, Ramiz Alia kishte hedhur pandehmën e një grupi intelektualësh, duke kritikuar rëndë Foto Çamin, sekretarin e KQ që mbulonte propagandën për mungesë syçeltësie... Merrej me mend që Sigurimi po punonte si në ethe për t’i bërë një dhuratë asaj që ishte dhuruesja e gjithçkaje: partisë. Ai përpiqej të zbulonte, ose më saktë të shpikte grupin. Flitej se ishin bërë motërzime listash: më e madhja me 150 vetë, më e vogla me 12... Kuptohet që unë dhe N. Tozaj ishim në të gjitha variantet, në disa raste në krye të renditjes».[20]
Paraprakisht këtu duhet thënë se këto lista, të mëdha ose të vogla, të Sugurimit të Shtetit me 150 apo me 12 intelektualë, që duheshin eliminuar ngjajnë si lodra fëmijësh në krahasim me ato skemat e terrorit masiv që propozonte Kadare tek poezia «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», ose tek romani «Dimri i vetmisë së madhe», të cilat skema, nëse do të qenë pranuar dhe zbatuar nga regjimi, do të qenë elimunuar mijëra e mijëra intelektualë dhe në 1990 Sigurimi i Shtetit nuk do të kishte pse të merrte mundimin për të bërë lista. Sa për romanin «Thikat» për të cilin Kadare dhe Tozaj kanë pretenduar se ky roman u prit keq nga Sigurimi i Shtetit për shkak se në roman tregohej se si disa punonjës të Sigurimit të Shtetit sajonin një komplot kundër regjimit, duke përdorur veprimin e papërgjegjshëm të një të sëmure psiqike, që shponte me thika gomat e makinave të ambasadave të huaja. Por sipas autorit, Partia ndërhyri dhe e vuri drejtësinë në vend. Ismail Kadaresë i dogji shumë kritika e Arshi Pipës për këtë roman, i cili tha se romani qe porositur nga Sigurimi i Shtetit. Në rast se qe kështu, atëhere edhe Kadare qe i involvuar si recensent i romanit dhe lavdërues i tij në shtyp. Prandaj Ismail Kadare shkruan:
«Duke shkruar dhe botuar romanin e tij N. Tozaj kishte vënë në rrezik kokën kurse A. Pipa në mënyrë mashtruese e meskine shkruante se ky roman ishte porositur nga Sigurimi vetë».[21]
Nënteksti i Kadaresë është se edhe ky i fundit vuri në rrezik kokën, kur si recensent i romanit të Tozajt e përcaktoi atë si të përshtatshëm për botim dhe kur e lavdëroi romanin në shtyp. Por, për të kuptuar se çfarë qe ky roman, mjafton të lexosh shënimin që ve vetë autori, Neshat Tozaj, në fillim të romanit, ku thuhet:
«I dashur lexues! Romani ‘Thikat’ e merr subjektin nga lufta e Partisë dhe shokut Enver Hoxha kundër veprimtarisë armiqësore të poliagjentit Mehmet Shehu dhe pjesëmarrësve të tjerë të organizatës së tij kundërrevolucionare. Romani nuk merr përsipër të trajtojë komplotin. Qëllimet, format dhe metodat, mjetet, lidhjet e komplotit i zbuloi Partia dhe shoku Enver Hoxha. Por letërsia i vendos ngjarjet në planin shpirtëror, shikon si godasin në shpirtin e njeriut, mbi fatin e jetës së tij, e mira apo e keqja dhe çfarë reaksioni krijojnë ato. Prandaj romani ‘Thikat’, duke u marrë me një ngjarje të thjeshtë të vendosur në kohën e veprimtarisë së komplotistëve dhe në mjedise të caktuara të shoqërisë, hedh dritë mbi veprimtarinë armiqësore të tyre».[22]
Këtu gjithçka është e qartë. Romani është një letrarizim i një aspekti të «Tablosë Sinoptike» që paraqiti Enver Hoxha në vitin 1982 ku zbulonte «komplotin» e Mehmet Shehut dhe pikërisht të atij aspekti ku Enver Hoxha e fajësonte Mehmet Shehun dhe ministrin e brendshëm Feçor Shehun (pak më pas edhe ish-ministrin e brendshëm, Kadri Hazbiu) se patën bërë të ashtuquajturat «shkelje të ligjshmërisë», duke dënuar njerëz të pafajshëm të akuzuar si armiq. Është e qartë se këtu Enver Hoxha përdorte taktikën e Stalinit, që pasi i përdorte shefat e policisë sekrete për të ushtruar terror masiv, i dënonte duke i quajtur si fajtorë, që e patën tepruar, kuptohet për të dalë vetë i pastër. Të njëjtën gjë bëri edhe Enver Hoxha me ministrat e vet të brendshëm, Koçi Xoxen, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun. Por, në mënyrë sinjifikative, ashtu si në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, viktimat e terrorit nuk rehabilitoheshin pas dënimit të xhelatëve të tyre. Duke konsideruar se në vitin 1989, në kohën kur kishin filluar ndryshimet në Lindjen Komuniste, PPSH donte të pastronte reputacionin e vet nga krimet e gjysmë shekullit të diktaturës, në mënyrë që të hynte në lojën e re, nuk mund të mos konstatosh se romani i Tozajt i përshtatej shumë mirë kësaj strategjie, duke qenë se paraqiste një realitet mashtrues ku përgjegjës për krimet e Sigurimit të Shtetit qenë «armiqtë» dhe «komplotistët», ndërsa partia pati ndërhyrë për të bërë drejtësi, e ndihmuar nga punonjësit «e ndershëm» të Sigurimit të Shtetit si «heroi pozitiv» i romanit, sigurimsi Astrit Murrizi. Kështu që drejtësia u vu në vend, përgjegjësit për krimet u ndëshkuan dhe PPSH dhe Sigurimi i Shtetit mund të hynin «të pastër» në kohën e ndryshimeve që filloi në Europën Lindore në fund të viteve ’80, duke u bërë «flamurtarë» të këtyre ndryshimeve, ku siç thoshte Ramiz Alia, proceset demokratike në Shqipëri i udhëheq PPSH.
Sigurisht me ndihmën e Sigurimit të Shtetit. Pra, siç e zbulon edhe vetë Tozaj, romani «Thikat» është shkruar me porosi të Sigurimit. Tek e fundit Neshat Tozaj vetë qe një funksionar i lartë i Sigurimit të Shtetit dhe madje pati qenë dhe ekspert letrar i Sigurimit të Shtetit në gjyqin e montuar politik ku u dënua Fatos Lubonja. Të gjitha këto rrethana, e bëjnë shumë komprometues involvimin e Ismail Kadaresë në këtë aferë. Duket qartë se Ismail Kadare ka qenë në skemën e Sigurimit të Shtetit. Në librin e vet të lartpërmendur Kadare thotë se pasi i dha intervistën kryeredaktorit të «Zërit të Rinisë», Remzi Lanit, i dorëzoi dhe një letër, të cilën ky duhet ta kishte për t’u mbrojtur në rast se do ta kritikonin për intervistën. Letra qe një përgjigje e supozuar e Kadaresë ndaj një letre të supozuar të Lanit, ku ky i fundit i bënte vërejtje Kadaresë për idetë që shprehu në përgjigjet për pyetjet e tij. Në përgjigjet e vërejtjeve të supozuara Kadare i thoshte Lanit: «Ose botoje intervistën siç është, ose ma kthe menjëherë».[23]
Sipas Kadaresë, Lani iu përgjigj se intervistën do ta botonte të plotë, ndërsa për letrën u shpreh se «do ta mbaj për kujtim por s’jam nga ata që mund ta shfrytëzoj».[24] Mes Kadaresë dhe Lanit është zhvilluar në vijim ky dialog:
«- Ti qesh, - i thashë, - por unë të paralajmëroj se me intervistën mund të kesh telashe. Tani flas fare seriozisht. Ti mund ta paguash shtrenjtë, kurse unë jo, prandaj...
- Jo, - tha ai. Do ta botoj intervistën me bindje të plotë dhe letrën e dytë do ta grisja në sytë e tu, sikur të mos ta doja si kujtim».[25]
Pasi Kadare ka kërkuar të na bindë se Neshat Tozaj pati vënë në rrezik kokën duke shkruar dhe botuar romanin «Thikat» (nënteksti është se edhe Kadare e vuri në rrezik kokën duke bërë recensentin dhe duke e lavdëruar në shtyp) Kadare kërkon të na bindë se guximtari tjetër i madh i asaj kohe, që vuri në rrezik kokën, pati qenë... Remzi Lani. Lind pyetja: Nga vinte gjithë ky guxim i Remzi Lanit, që nuk njihet si një njeri i guximshëm? Që të largohen dyshimet se kjo disidencë e vonuar e Kadaresë nuk qe pjesë e angazhimit të tij në zbatimin e skemës së Sigurimit të Shtetit për manipulimin e procesit të ndryshimeve në Shqipëri, e mira do të qe që të publikohej edhe se si e ka «survejuar» Sigurimi i Shtetit në këtë kohë Remzi Lanin, për të cilin Kadare pretendon se qe në listën me 12 intelektualë të bërë nga Sigurimi i Shtetit në 1990,për shkak se botoi një intervistë të Kadaresë tek «Zëri i Rinisë», ku qe kryeredaktor.[26]
A e di Kadare se kush është bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin «Holta»? Derisa ekziston «Holta», atëhere shpjegohej guximi i Lanit, si një truk i ardhur për shkak se Lani qe ngarkuar nga Sigurimi i Shtetit me një mision, ashtu si Neshat Tozaj. E mira do të qe që të publikoheshin dokumentet që ka Sigurimi i Shtetit për të gjithë këta persona me të cilët Kadare paska «luftuar» me «guxim» për demokracinë kundër regjimit komunist dhe posaçërisht Sigurimit të Shtetit. Atëhere do të dalë se Kadare paska luftuar kundër Sigurimit të Shtetit, duke pasur në krah bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Kuptohet se në të gjithë këtë aferë fjala ka qenë për skemën e Sigurimit të Shtetit për të manipuluar procesin e ndryshimeve në Shqipëri, duke bërë që pluralizmi politik në Shqipëri të bëhej i tillë që politika shqiptare të kontrollohej nga PPSH e pjesëtuar. Pasi Kadare i shërbeu kësaj skeme në vjeshtën e vitit 1989 dhe përgjatë pjesës më të madhe të vitit 1990, ai «u arratis» në Perëndim, me lejën e regjimit komunist, që të fitonte një reputacion prej disidenti, për të mbetur përsëri në lojë. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ose më saktë, pas transformimit të komunizmit shqiptar në një pluralizëm të kontrolluar, kohë në të cilën të gjithë pjesëtarët e elitës komuniste filluan të luajnë lojën e klientelizmit pranë fuqive të huaja, ndodhi që kjo midis tyre të sjellë përplasje, pasi fuqitë e huaja të cilave ata u shërbenin tash, shpesh kishin dhe kanë interesa të kundërta. E tillë është përplasja midis Ismail Kadaresë dhe Ramiz Alisë.
Kështu del se Kadare në 1990 ka flirtuar me të dy linjat e regjimit komunist, atë që ishte për ndryshimet dhe atë që ishte kundër ndryshimeve. Definitivisht me romanin «Përbindëshi», Kadare u pozicionua me linjën që ishte kundër ndryshimeve.
Është një praktikë e Kadaresë që ta projektojë tek kundërshtari të keqen e vet. Kështu, Ismail Kadare, pasi në 1976, praktikisht e akuzon Ramiz Alinë si revizionist, në vitin 2000, i bëri këtij të fundit një akuzë të rëndë në romanin «Lulet e ftohta të marsit» (2000), si terrorist i kuq i llojit të atyre që kërkon Kadare tek poezia «Në mesditë Byroja Politike u mblodh». Në romanin «Lulet e ftohta të marsit», Ismail Kadare, del nga praktika e tij e thënies së gjërave në mënyrë evazive dhe figurative dhe na jep një tregim që duket si raport i shërbimeve inteligjente:
«- Në prill të tetëdhjetë e pesës, tri ditë pas vdekjes së diktatorit, zëvendësi i tij, të nesërmen e zgjedhjes në postin e lartë, gjëja e parë që bëri ishte një udhëtim i fshehtë në B... Grupi i vogël nga Tirana mbërriti në orën dhjetë të mbrëmjes dhe, pa u ndalur fare në qytet, shkoi drejt e në Arkiv. - Atje... - tjetri jo vetëm që e uli zërin edhe më, por Markut iu duk se po i jepte tonin nanuritës të një rrëfimi. - Atje shefi i ri i Shqipërisë, kërkoi diçka gjer më tre të mëngjesit... Ç’të kishte kërkuar vallë në atë gërmajë shefi i shtetit? Një kumt, një dosje të fshehtë, ndoshta dosjen-kurth të tij? Flitej se diktatori, sa më shumë plakej, aq më fort i lidhte anëtarët e Byrosë Politike me gremça të tillë. E në qoftë se ai i kishte mbërthyer me dosje shantazhi të tjerët, pasardhësin e tij do ta kishte lidhur dyfish, trifish... Ishte një copë përralle pa dyshim, nga ato që s’dihej kurrë me saktësi, ku i kishe dëgjuar a lexuar për herë të parë: ai, sunduesi i ri, jetonte në pallat të lartë, në kryeqytet, por shpirtin e vet, fuqinë e fshehtë, palcën e tij, e kishte të mbyllur në një arkëz, fshehur diku, midis malesh të lartë... Qëndroi në kthinë gati tre orë. Kur doli fytyrën e kishte të prerë. Pa thënë asgjë iku i ndjekur nga rojet. Ora duhej të ishte tre e mëngjesit.
- Keni dëgjuar për ca fotografi të çuditshme, desha të them të tmerrshme, që gjenden brenda dosjeve të kthinës së Lakuriqit?
- Jo, zotni.
- Mos m’i hiqni sytë... Keni dëgjuar për anëtarë të Byrosë Politike të fotografuar me revolverë në dorë, duke shtirë plumbin e fundit mbi trupin e shtrirë përdhe të kolegut të tyre, ish anëtar i Byrosë Politike? Përgjigjuni!
- Jo, zotni.
- Keni parë ish-shefin e porsaemëruar të shtetit të fotografuar me revole në dorë, duke shtirë mbi trupin e një ish-anëtari të Byrosë Politike?
- Oh, jo.
- E keni parë ta kërkonte pikërisht atë fotografi atë natë prilli në arkiv? Ky është shansi juaj i fundit, përgjigjuni!
- Oh, të isha mbytur më mirë në Kanal të Otrantos».[27]
Është e qartë se këtu kemi të bëjmë me më tepër sesa me fantazi letrare. Këtu Kadare bën fjalë për një person real. Kryetari i shtetit shqiptar që shkon në Arkivin sekret në prill 1985, pak ditë pas vdekjes së paraardhësit, Enver Hoxhës, është RamizAlia. Historia që tregon Kadare nuk është krejt fantazi sepse atëhere është përfolur një ikje e Ramiz Alisë drejt vendeve sekrete të regjimit, në ditët fill pas vdekjes së Enver Hoxhës, në një provincë të Shqipërisë ku mbahej arkivi sekret i regjimit, pas të gjitha gjasave për të parë se deri ku shkonin gjurmët e komprometimit të vet. Dhe dalja e Ramiz Alisë me fytyrë të prerë nga arkivi shpjegohet me atë se ai e gjeti atje atë që dyshonte, por nuk ia vlente që ta zhdukte, pasi qe depozituar edhe diku tjetër, me siguri jashtë vendit, pasi qe parashikuar që ai do të shkonte ta kërkonte që ta zhdukte. E gjithë kjo «fantazi letrare» e Ismail Kadaresë, por një kumt që ai i drejton Ramiz Alisë, në emër të atyre njerëzve që ende vazhdojnë t’i ruajnë këto prova komprometuese për të. Është e qartë se Kadare mori masa që mos t’ua bënte të qartë atyre që kishin të dhëna komprometuese për të, që në rast se do t’i përdornin, ose do t’i vinin në dispozicion të të tjerëve, të dhënat komprometuese për Kadarenë që ruheshin në «Kthinën e Lakuriqit», atëhere edhe Kadare do të nxirrte të dhënat për Ramiz Alinë që ai kishte mundur t’i shtinte në dorë, me anë të miqve të vet të huaj.
Për çfarë trembet Kadare? Enver Hoxha nuk komprometonte veç anëtarët e Byrosë Politike, por edhe shkrimtarët e njohur dhe veçanërisht shkrimtarin e vet të parë, Ismail Kadarenë, i cili udhëtonte dhe në Perëndim. Enver Hoxha donte të sigurohej që Kadare nuk do t’i bënte surpriza të pakëndshme. Prandaj diktatori duhet të ketë marrë masa ta komprometojë, duke përdorur metoda të llojit të mistereve që ruheshin në «Kthinën e Lakuriqit» në Arkivin supersekret, pra, duke ndjekur linjën që na thotë Kadare, fotografi ose filmime ku shkrimtari i parë i oborrit paraqitej duke torturuar kolegët e vet shkrimtarë, ose duke shkrehur plumbin e fundit mbi shkrimtarë dhe poetë të pushkatuar. Atëhere, dialogu që jep Kadare në romanin «Lulet e ftohta të marsit» do të parafrazohej kështu:
«- Në maj të nëntëdhjetedyshit, pas rikthimit të vet në Shqipëri pas ‘arratisjes’ ish-shkrimtari i parë i oborrit, gjëja e parë që i kërkoi shefit të ri të shtetit, qe një leje për të hyrë në Arkivin Sekret. Me të marrë atë, gjëja e parë që bëri ish-shkrimtari i parë ishte një udhëtim i fshehtë në B... Grupi i vogël nga Tirana mbërriti në orën dhjetë të mbrëmjes dhe, pa u ndalur fare në qytet, shkoi drejt e në Arkiv. - Atje... - tjetri jo vetëm që e uli zërin edhe më, por Markut iu duk se po i jepte tonin nanuritës të një rrëfimi.-Atje ish-shkrimtari i parë i oborrit, kërkoi diçka gjer më tre të mëngjesit... Ç’të kishte kërkuar vallë në atë gërmajë ish-shkrimtari i parë? Një kumt, një dosje të fshehtë, ndoshta dosjen-kurth të tij? Flitej se diktatori, sa më shumë plakej, aq më fort e lidhte shkrimtarin e vet të parë me gremça të tillë. E në qoftë se ai i kishte mbërthyer me dosje shantazhi shkrimtarët e tjerë, shkrimtarin e vet të parë, të cilit i pati lejuar që ta vinte si personazh në veprën e vet do ta kishte lidhur dyfish, trifish... Ishte një copë përralle pa dyshim, nga ato që s’dihej kurrë me saktësi, ku i kishe dëgjuar a lexuar për herë të parë: ai, ish-shkrimtari i parë që jetonte në pallat të lartë, në kryeqytet, por shpirtin e vet, fuqinë e fshehtë, palcën e tij, e kishte të mbyllur në një arkëz, fshehur diku, midis malesh të lartë...
...Qëndroi në kthinë gati tre orë. Kur doli fytyrën e kishte të prerë. Pa thënë asgjë iku i ndjekur nga rojet. Ora duhej të ishte tre e mëngjesit.
- Keni dëgjuar për ca fotografi të çuditshme, desha të them të tmerrshme, që gjenden brenda dosjeve të kthinës së Lakuriqit?
- Jo, zotni.
- Mos m’i hiqni sytë... Keni dëgjuar për shkrimtarin e parë të oborrit të fotografuar me revolver në dorë, duke shtirë plumbin e fundit mbi trupin e shtrirë përdhe të kolegut të vet, shkrimtar të arrestuar dhe dënuar? Përgjigjuni!
- Jo, zotni.
- Keni parë ish-shkrimtarin e parë të oborrit të fotografuar me revole në dorë, duke shtirë mbi trupin e një shkrimtari të arrestuar dhe dënuar, duke thënë: Unë jam një tjetër lloj Laokoonti, që ua shtyp kokën gjarpërinjve.
- Oh, jo.
- E keni parë ta kërkonte pikërisht atë fotografi atë natë maji në arkiv? Ky është shansi juaj i fundit, përgjigjuni!
- Oh, të isha mbytur më mirë në Kanal të Otrantos».
A vuan ish-shkrimtari i parë i oborrit komunist, «Laokoonti», nga ankthi se një ditë do të bëjë një bisedë të këtij lloji, në mos me një hetues, së paku me publikun? Edhe Ismail Kadare duhet të ketë dalë nga Arkivi me fytyrë të prerë, si Ramiz Alia, pasi ata që e zotëronin sekretin e tij, i patën lënë aq dokumente të mjaftueshme atje, sa t’i jepnin të kuptonte se çfarë mund të përdornin kundër tij. Dhe këto mbresa përcaktojnë gjithë sjelljen e tij, duke përfshirë dhe atë politike.





