POEZIA E ISMAIL KADARE, E ASHTUQUAJTUR «PASHALLARËT E KUQ», U NDALUA SI MANIFEST I TERRORIT POLPOTIST KUNDËR INTELEKTUALËVE






Mbi poezinë e Ismail Kadaresë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», pas vitit 1990 është ngritur një mit sikur kjo poezi u ndalua në vitin 1975 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe Kadare u kritikua ashpër në zyrat e larta partiake, për shkak se në të autori kishte dënuar diktaturën komuniste. Fillesën e këtij miti e ka ndërtuar vetë Ismail Kadare, duke filluar që nga titulli i rremë i poezisë, duke e mbiquajtur atë «Pashallarët e kuq», kur titulli i vërtetë qe tjetër, siç e thashë më lart dhe deri tek preten­dimi se pasi iu ndalua kjo poezi Kadare u çua për ndëshkim, për disa kohë, në një fshat të Lushnjës. Ky mit është vazhduar të ndër­tohet në një libër të Maks Velos me titull «Zhdukja e pasha­­llarëve të kuq» (2002) dhe më tutje në librin e Shaban Sinanit «Një dosje për Kadarenë» (2005).
Por deri më sot nuk ka pasur një analizë serioze të çështjes së kësaj poezie. Një analizë serioze e kësaj çështjeje ka si para­kusht paraqitjen e kuadrit të ngjarjeve politike të kohës në të cilën u çua për botim dhe u ndalua kjo poezi. Poezia «Në mes­ditë Byroja Politike u mblodh» u çua për botim në fillim të teto­rit 1975 në gazetën letrare «Drita» dhe qe planifikuar që të botohej në numrin e datës 12 tetor 1975. Pikënisja për të shkuar tek e vërteta e kësaj çështjeje duhet të jetë mbledhja e Byrosë Politike për të cilën bën fjalë poezia e Kadaresë. Duke lexuar poezinë e kupton se ajo nuk bën fjalë për një mbledhje hipote­tike, por për një mbledhje famëkeqe për kohën të Byrosë Politike të Komi­tetit Qendror të PPSH, atë të 27 qershorit 1975. Nga kjo mble­dhje doli i ashtuquajturi «Vendim i Byrosë Poli­tike të Komitetit Qendror të PPSH mbi disa masa për luftën kundër burokratizmit veçanërisht për thjeshtimin e organikave». Në këtë vendim thu­het:
«Organet dhe organizatat e partisë, organizatat e masave dhe organet shtetërore ekonomike problemin e luftës kundër buro­kratizmit të mos e konsiderojnë të përfunduar, të mos e koncep­tojnë ngushtë vetëm me punën e zhvilluar deri tani dhe me disa rezultate në shkurtimin e organikave të aparateve administra­tive. Është e nevojshme të bëhet një punë e pandërprerë eduka­tive, e organizuar dhe sistematike për kuptimin e përmbaj­tjes politike dhe ideologjike të të gjitha problemeve dhe aspekteve që lidhen me luftën kundër burokratizmit, me shfaqjet e tij, me inte­lektualizmin dhe teknokratizmin etj. Komitetet dhe organi­za­tat e partisë të shpjegojnë thellë rrezikun real që u kanoset diktaturës së proletariatit dhe socializmit në vendin tonë nga burokratizmi dhe të kujdesen që ky t’u ngulitet thellë në mendje dhe në ndërgjegje njerëzve, çdo komunisti, punonjësi e kuadri. Të kuptohet dhe të realizohet në praktikë se lufta kundër buro­kratizmit është luftë klasash që do të vazhdojë derisa të ekzis­tojnë klasat, derisa të ekzistojë shteti».[1]
Paraqitja e tezës se lufta kundër burokratizmit qe aspekt i luftës së klasave qe një gjë mjaft ogurzezë, pasi lufta e klasave nën­kuptonte terrorin e kuq, represionin në formën e arresti­meve, burgimeve, internimeve, deri edhe tek dënimet me vde­kje. Në këtë represion e pësonin jo vetëm ai që deklarohej faj­tor, por edhe familja dhe të afërmit e tij, pa përjashtuar rre­thin shoqëror, të cilët qenë kontigjenti i parapëlqyer për t’u ndësh­kuar, pasi supozohej se me ta kishte punuar «armiku». Teza se lufta kundër burokratizmit është aspekt i luftës së kla­save ishte një skemë e re për të ushtruar terror masiv. Kjo pasi në fushatën e ashtuquajtur «lufta kundër burokratizmit» fjala «burokrat» ishtenjë etiketë që mund t’i vihej kujtdo që punonte në admi­nistratë dhe në radhë të parë intelektualëve. Kuptohet se të ashtu­quaj­turit burokratë qenë të shumtë. Në 26 mars 1975, vetëm disa muaj para se Kadare të çonte për botim poezinë e vet, Enver Hoxha pati mbajtur në Sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH një fjalim me titull «Kuadrot kanë rolin e tyre, por jo të bëjnë ligjin mbi Partinë», ku u shpreh:
«Njerëzit që sëmuren, që i mbulon burokratizmi, intelek­tua­lizmi, zor se mund t’i shohin dhe t’i pranojnë me lehtësi të metat, gabimet dhe shtrembërimet. Njerëz të tillë duhet të dimë se bor­gjezohen dhe kur bëhen të tillë, duan të punojnë më pak, të kri­jojnë organizma mbi organizma, që t’u kryejnë punët pa kokë­çarje të madhe nga ana e tyre, të krijojnë nën vete dhe përreth sa më shumë vartës për të ndarë ose për të hequr fare përgjegjësinë, për të shtuar autoritetin e tyre si gjeneralë’ të një ushtrie të madhe dhe për të shitur mend më shumë. Në këto pikëpamje, në presionin e teknokratëve e të tjera rrethana, e kanë burimin të famshmet listorganika të krijuara në kundër­shtim me vendimet e Byrosë Politike. Ne e dimë se ajo vendosi të shkurtohen organi­kat e aparateve shtetërore dhe ato u shkur­tuan në masën 5 mijë veta. Mirëpo më pas, nën pretekstin e ‘listorganikës’, ata që dë­buam nga dera, na hynë gjashtëfish më tepër nga dritarja, dome­thënë organikave iu shtua në fakt edhe ‘listorganika’ me rreth 30 mijë veta. Ç’janë këta 30 mijë dhe si konsiderohen? Këta janë nëpunës, rrogëtarë, inxhinierë, teknikë etj. dhe të gjithë, për t’u maskuar, jo vetëm që në organikë nuk konsiderohen nëpunës, siç janë në fakt shumica dërrmuese, por duke qenë në ‘listorganika’ cilësohen ‘punëtorë’ ata që në fakt s’janë punëtorë.
Deri atje të çon burokratizmi sa të bësh edhe gabime të rënda ideologjike revizioniste dhe inxhinierët e nëpunësit t’i klasifi­kosh si klasë punëtore. Në këtë mënyrë, me një akt legal, është ligjëruar një parim ilegal, revizionist, janë integruar shtresa të tjera në klasën punëtore, është konfonduar kjo, i është humbur në këtë mënyrë klasës punëtore tërësia dhe hegjemonia dhe është bërë heterogjene, derisa t’i merret pushteti».[2]
Kështu, sipas Enver Hoxhës, del se në Shqipëri kishte së paku 30 mijë burokratë, kundrejt të cilëve, sipas vendimit të Byrosë Politike të qershorit të po atij viti, duhej bërë lufta e klasave. Në fakt e gjithë fushata e luftës kundër burokratizmit, që rifilloi me vrull në vitin 1975, pasi qe reduktuar në një rea­litet retorik në fund të viteve ‘60, qe një ekspedient që po e për­dorte regjimi për të kryer shkurtime në administratë për shkak se pas uljes në minimum të ndihmave nga Kina, regjimi nuk mund ta mbante më administratën shtetërore në nivelet e deri­atëhershme. Lufta kundër burokratizmit u zhvillua me anë të qarkullimit të zyrtarëve nga administrata në prodhim, në ndër­marrjet në qytet dhe në fshat. Por u vërejt se njerëzit i rezis­tonin qarkullimit duke nxjerrë një mijë e një arsye. Prandaj, për t’u bërë presion që mos t’i rezistonin qarkullimit u përpunua direk­tiva kërcënuese se lufta kundër burokratizmit qe aspekt i luftës së klasave.
Duke qenë se vendimi i Byrosë Politike i 27 qershorit 1975 vinte në atmosferën e terrorit të shkallëzuar dhe të ankthit të rritur që ishte krijuar pas plenumeve famëkeqe të vitit 1974, që spastruan ushtrinë me «fshesë të hekurt», si dhe të mbledhjeve përgatitore për plenumin të majit 1975, që do të spastronte «sabotatorët» në ekonomi, njerëzit duhet të prisnin që kjo direk­tivë e re të çonte në një shkallëzim të represionit, në një shkallë shumë më të gjerë se spastrimet e vitit 1974 dhe të fillimit të vitit 1975.
Në këtë atmosferë Ismail Kadare, duke e marrë trukun e re­gjimit për diçka serioze, shkroi dhe çoi për botim poezinë e vet «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», në fillim të tetorit 1975, ku ai e letrarizoi formulën e terrorit masiv «Lufta kundër burokratizmit është luftë e klasave». Poezia u bënte jehonë ven­dimit të fundit të Byrosë Politike për luftën kundër buro­kra­tizmit, duke u konsideruar të ashtuquajturit burokratë si armiq klasorë:

«Për armiqtë kemi topat, himnet, vallet,
Ambasadat që rrëfejnë diçka për ta.
Për burokratizmin ç’kemi vallë?
Topat s’pijnë ujë dhe konsuj atje s’ka!
Midis shkresash, telefonësh, letërthithësesh,
Ata skenat mbushin gjithnjë.
Mjaft me këtë qeshje dashamirëse!
Burokratët janë tjetër gjë!» [3]

Por, çfarë janë burokratët sipas Ismail Kadaresë? Ismail Kadare, i frymëzuar nga direktiva e Byrosë Politike se burokrati është i barabartë me armikun e klasës, avancon edhe më tej duke i parë burokratët si kriminelë duarpërgjakur në luftën klasore:
«Jo me bojë pelikan përjargur,
Si tuafë të këndshëm: ho-ho-ho!
Por të kobshëm, me duar të përgjakura,
Gjer në bërryle unë i shoh ata».[4]

«Të kobshëm me duar të përgjakura». Ky është me të vërtetë një përcaktim utraekstremist komunist për një zyrtar që etike­tohej si «burokrat». Në vazhdim të poezisë së vet, Ismail Kadare ndërton një skenë makabre, sadiste:

«I shoh atje thellë tek rrëmojnë,
Në themelet e revolucionit pikërisht.
Ç’bëjnë ashtu pse trupat e dëshmorëve,
Kthejnë majtas, djathtas, përmbys?!

Pa shiko, trupat sikur i lajnë,
Në themelet gjakun duan të fshijnë shpejt;
Dhe pas gjakut amanetet që ata lanë,
Idealet dhe parimet krejt!

Dhe vulën e gjakut pasi ta zhdukin,
Oh, e dinë se lehtë është pastaj,
Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën
E punëtorëve - thelbin e saj!

Ja, kështu, atje në gjunjë të ulur,
Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim».[5]
Ismail Kadare, duke i quajtur burokratët si përdhosës, profa­nues të gjakut të dëshmorëve partizanë të Luftës së Dytë Botë­rore, i ngarkon ata me dhunimin më të rëndë pasi gjaku i dësh­morëve komunistë përbënte në mistikën ateiste komuniste, një gjë të shenjtë, po aq sa gjaku i martirëve në mistikën fetare. Akuza për përdhosjen e gjakut të dëshmorëve u bëhej simboli­kisht atyre që regjimi komunist i akuzonte për komplote për për­mbysjen e PPSH në pushtet. Ismail Kadare, tek poema «Shqi­ponjat fluturojnë lart», e botuar në vitin 1966, pra 9 vite para poe­­zisë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh» shkruante kështu duke kërkuar të tregonte forcën e PPSH, por edhe atë që bëjnë ata që duan të përmbysin PPSH nga pushteti:

«Që të të shkulin ty, duhet që të përmbysin
Tërë këtë tokë të lashtë e të rëndë,
Të përmbysin
Kështjellat,
               malet,
                        këngët
Të ngrenë nga balta e të rivrasin
                                            të rënët».[6]

Tash Kadare e imagjinoi një situatë të tillë, duke paraqitur si armiq... burokratët. Por, sipas kodit të regjimit komunist profa­nimi i gjakut të dëshmorëve është një faj që mund të shlyhet vetëm me gjakun e atij që e ka bërë këtë faj. Ismail Kadare e dinte mirë këtë gjë, kur i shkruante këto vargje. Atëhere përse Kadare ua bën këtë akuzë burokratëve? Sepse Kadare në këtë vjershë donte që ta barazonte burokratizmin me komplotizmin, d.m.th. burokratin me komplotistin kundër regjimit komunist. Këtë nuk e them unë. Në autokritikën që bëri Ismail Kadare kur poezia e tij u diskutua në një mbledhje të zgjeruar në Sekre­ta­riatin e Komitetit Qendror të PPSH, në 25 tetor 1975, mbledhje që u kryesua nga sekretari i KQ të PPSH për ideologjinë, Ramiz Alia, Ismail Kadare u shpreh:
«E gjithë vjersha, që nga kreu gjer në fund, është ndërtuar gabim. Ajo është nisur shtrembër dhe ka mbaruar shtrembër. Çdo gjë në të është e keqe dhe armiqësore. Ngatërrimi i buro­kratizmit dhe komplotizmit, që në fillim m’u duk si gabim i falshëm, ishte fatal. Me një mendjelehtësi të pafalshme unë arsye­­tova: si burokratizmi, si komplotizmi, janë aty-aty; kom­plo­tizmi është një stad më i lartë i burokratizmit, pra mund të trajtohen në një plan, aq më tepër që jemi në terrenin e poezisë. Mirëpo ky i ashtuquajtur ‘gabim i falshëm’ më çoi mua në krijimin e kësaj vjershe të zezë».[7]
Shikoni pra sesi shprehet Ismail Kadare. Ai kur shkroi poe­zinë e vet me vetëdije e pati barazuar burokratin me kom­plo­tistin! Dhe Kadare e dinte mirë se komplotistin regjimi komu­nist e dënonte me vdekje. Shikoni se çfarë cinizmi dhe sadizmi të skajshëm ka pasur në mendimin e këtij njeriu: Burokratizëm = komplotizëm!
Pra, burokrat = komplotist. Kadare po ua vinte këtë etiketë kobndjellëse (burokrat = komplotist) së paku 30 mijë vetëve, aq sa ç’qe shpallur nga Enver Hoxha ushtria e burokratëve (kjo ushtri mund të shtohej dhe me të tjerë njerëz), çka në atë kohë do të thoshte që ta pësonin 30 mijë familje. Koncepti burokra­tizëm = komplotizëm është një koncept ultrastalinist, madje me thënë të drejtën është një koncept metastalinist (tejstalinist), pasi tek ky koncept nuk arriti as vetë Stalini dhe as Enver Hoxha. Këtij koncepti iu afrua vetëm Pol Poti, i cili pikërisht në vitin 1975 kur Kadare shkroi dhe çoi për botim këtë poezi, pati ardhë në pushtet në Kamboxhia, ku brenda katër viteve ushtroi një genocid të paparë, duke zhdukur një të katërtën e popullsisë dhe pjesën më të madhe të inteligjencës. Ismail Kadare pra kishte shkruar një poezi polpotiste, një manifest të terrorit pol­potist dhe fakti që poezia e tij u kritikua dhe u ndalua nga re­gjimi enverist nuk nderon Kadarenë, por paradoksalisht nde­ron... Enver Hoxhën, pasi ndalimi i kësaj poezie dhe kriticizmi i regjimit për poezinë e Kadaresë dhe vetë këtë të fundit shpreh diferencën midis polpotizmit (në anën e të cilit në këtë rast është Kadare) dhe enverizmit. Dhe dallimi mes polpotizmit dhe enverizmit është ai midis më të keqes dhe më pak të keqes.
Por, kulmi në poezinë-manifest të Ismail Kadare është se ai krijon një atmosferë lufte të vërtetë, duke dashur që luftën kundër burokratizmit ta shndërrojë në luftë të armatosur:

«Si dikur patrullat partizane,
shtegtojnë ekipet e kontrollit punëtor,
Që të mos i marrim ministritë me topa
Nesër. Sot i marrim me kontroll.

Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha,
dhe në ditëlindjen e veteranit tornitor.
Je për socializëm? Vrapo në rrjeshta!
Shpall kudo dhe mbi këdo kontroll punëtor!

Bjeri ditë e natë burokratizmit,
Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj!
Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur tek bulevard i madh!»[8]

Duket se Ismail Kadare e ka marrë shumë seriozisht atë metaforën që bën Enver Hoxha duke i krahasuar burokratët me një ushtri që kanë dhe gjeneralët e tyre. Ismail Kadare kërkon që burokratët të perceptohen si një ushtri armike komplotistësh, që do të marrin pushtetin dhe pastaj do të fillojnë terrorin masiv, duke i pushkatuar njerëzit tek Bulevardi «Dëshmorët e Kombit» (pasi të kenë përfunduar me dëshmorët do të fillojnë me të gjallët). Dilema për Kadarenë paraqitet kështu: Ose t’i biem buro­kratizmit, ose ai do të vejë para skuadrës së pushkatimit. Por me çfarë i duhet rënë atij që kërkon t’i vejë të tjerët para skuadrës së pushkatimit? Me armë, sigurisht. Edhe ai duhet nxjerrë para skuadrës së pushkatimit. Sipas tablosë makabre që krijon Kadare, ushtria e burokratëve duhet asgjësuar fizikisht, pasi ajo pati profanuar gjakun e dëshmorëve. Dhe ky qe një dëm që kërkonte shpagim gjaku. Derisa regjimi enverist e luftonte burokratizmin, me anë të të ashtuquajturit «qarkullim», duke i çuar ata që etiketoheshin si burokratë në prodhim, në ndër­marrje, ose në fshat, Kadare kërkonte që ta luftonte burokra­ti­zmin duke i asgjësuar fizikisht burokratët.
Ismail Kadare e dinte se poezia e tij qe një apel për terror masiv polpotist në Shqipëri, në një shkallë të tillë që, duke kon­sideruar përmasat e vendeve përkatëse, as Stalini nuk e kishte kryer në Bashkimin Sovjetik. Regjimi komunist i Enver Hoxhës,gjatë 47 viteve (1944-1991) shkaktoi vdekjen e 7000 kundër­shta­rëve politikë, prej të cilëve 6000 të ekzekutuar dhe 1000 të vdekur në burgje nga keqtrajtimet. Në rast se do të zbatohej formula e Kadaresë (burokrat = komplotist) atëhere duhej që regjimi komunist shqiptar të ekzekutonte 30 mijë vetë që i pati shpallur si burokratë, çka natyrisht që do të shoqërohej dhe me internimin e familjeve të tyre. Kështu që genocidi i regjimit të Enver Hoxhës do t’i afrohej atij të Pol Potit dhe Shqipëria e vitit 1975 dhe e viteve në vazhdim duhet që të ecte në genocid pari passu me Kamboxhian polpotiane, duke u bërë Kamboxhia në mes të Europës.
Nëse do të zbatohej formula e Kadaresë (burokrat = kom­plotist) atëhere numri i të ekzekutuarve (të vrarëve) nga regjimi komunist do të qe katër herë më i lartë dhe numri i të inter­nuarve, që gjatë 47 viteve arriti në 60 mijë vetë, do të qe gjith­ashtu katër herë më i lartë. Derisa Enver Hoxha e përdorte fusha­tën e ashtuquajtur lufta kundër burokratizmit për të zvogë­luar numrin e nëpunësve të administratës (çka qe e domosdo­shme pas zvogëlimit të ndihmave kineze), duke i kaluar nëpunë­sit në prodhim, ose duke i çuar nga qyteti në fshat, Ismail Kadare i pro­pozonte praktikisht diktatorit një zgjidhje më të thjeshtë, në stilin e spastrimeve të mëdha staliniane, asgjësimin fizik të buro­kratëve, praktikisht të intelektualëve!
Duke paraqitur konceptin e mësipërm të terrorit masiv, Ismail Kadare me siguri ka menduar se ai qe duke artikuluar në vargje fjalët e Enver Hoxhës për funksionin gjakatar të dikta­turës së proletariatit. Enver Hoxha në diskutimin e vet me titull «Shteti ynë u ngrit me gjak për të qenë i popullit», mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH, në 11 prill 1975, u shpreh: «shteti ynë që u ngrit nga një luftë e për­gjakshme, nuk u krijua që të shndërrohet në një aparat burokra­tik borgjez, ai lindi mbi gërmadhat e shtetit të vjetër, që u shemb me luftë dhe me gjak për të qenë dhe për të mbetur pushteti i popullit punonjës, për të qenë një armë e proletariatit në luftën e tij të klasës, për të qenë siç thotë Lenini një ‘dajak’ i veçantë dhe i ashpër për të gjithë ata që do të duan ta dobësojnë, ta defor­mojnë dhe ta shkatërrojnë».[9]
Por, Ismail Kadare kërkonte që enverizmi të avanconte në polpotizëm, çka për fat të mirë nuk u bë.
Dhe që ta bëjë fajin e burokratëve më të rëndë, duke e bërë asgjësimin e tyre të sigurt, Ismail Kadare i paraqet gjërat sikur ata profanimin e gjakut të dëshmorëve e bëjnë për shkak se janë duke ndjekur traditën e klasave të përmbysura:

«Po ç’patën papritur, pse u ndalën,
Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë?
Këtu janë varrosur të përmbysurit,
Pashallarë, bejlerë, familje të mëdha,
Ata sulen, trupat kthejnë përmbys e nisin
Që t’i veshin me një vrull hata!
Dhe mëngjesi erdh. Të zbehtë, të ngrirë,
Nën mantelet me nishane e kurorë
Ata shkojnë në zyra, ministrira,
Madje ngjiten gjer në Komitet Qendror.
Pashallarë të kuq, bejlerë me tesera partie,
Baronë-sekretarë, bosë të naftës varg,
Në kortezh të zymtë, nën himne liturgjie,
Çojnë tabutin e revolucionit për në varr».[10]

Ismail Kadare i shikon të ashtuquajturit burokratë si një lloj vëllezërish siamezë të pjesëtarëve të vdekur dhe të gjallë të klasave të përmbysura borgjezo-feudalo-kulake, ndërsa të ashtu­quajturit nga regjimi komunist si puçistë në ushtri dhe sabo­ta­torë në ekonomi, i shikon si krerët e ushtrisë armike të... buro­kra­tëve, që kërcënon pushtetin komunist në Shqipëri. E gjitha kjo është e frymëzuar nga fjalët e Enver Hoxhës. Ori­gjinën e togfjalshit të Ismail Kadaresë «bejlerë me tesara partie» mund ta gjesh tek një thënie e Enver Hoxhës. Në 28 mars 1975, Enver Hoxha qe shprehur se mund «të borgjezohesh duke u maskuar me parulla komuniste, duke pasur edhe teserën e partisë në xhep».[11]
Origjinën e togfjalëshit të Ismail Kadaresë «pashallarë të kuq» me të cilin ai përcakton ushtarakët e lartë, të cilët në dhje­tor 1974 qenë arrestuar dhe vetëm pak javë pas paraqitjes për botim të poezisë nga Kadare do të dënoheshin me vdekje, e gjen gjithashtu tek një thënie e Enver Hoxhës. Enver Hoxha, në fjalën me titull «Të spastrojmë me fshesë të hekurt veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut, të nxjerrim mësime për forcimin e mëtejshëm të punës së partisë në ushtri», që mbajti para ushta­rakëve të lartë, në Durrës, në 14 tetor 1974, u shpreh për minis­trin e mbrojtjes, Beqir Balluku: «Ai ishte kthyer në një Esat Pashë Toptani i dytë».[12]
Nëse do të kërkosh të gjesh se nga është frymëzuar Ismail Kadare për të krijuar termin me konotacion «borgjez», «bosë të naftës», duhet t’i referohesh fjalëve të Enver Hoxhës. Në disku­timin e vet me titull « Kuadrot kanë rolin e tyre, por jo të bëjnë ligjin mbi Partinë», mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH, në 26 mars 1975, Enver Hoxha u shpreh:
«Ja ç’na ngjau në naftë, një sabotim dhe një punë ar­miqësore e theksuar nga një grup nëpunësish, si Lipe Nashi, Beqir Alia e ndonjë tjetër... Ministria e Industrisë dhe e Minie­rave me Koço Theodhosin në krye, në fakt e kishin shkëputur krejt Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës nga ministria dhe ajo ishte bërë ‘një trust që vetadministrohej’. Ajo kishte buxhetin e saj, fondet e saj në devizë, ajo mund të shiste tejkalimin e planit dhe dollarët t’i merrte vetë mbi kuotat e caktuara, të blinte me ta ç’të donte, jashtë planit. Me fjalë të tjera kjo u ngjiste ndër­marrjeve vet­ad­ministruese jugosllave. Këtë farë ndërmarrjeje Ministria e Indu­s­trisë dhe e Minierave e jepte si shembull për krijimin e ndër­marrjeve të tjera, siç i krijoi. Drejtoria e Për­gjith­shme e Naftës ishte bërë edhe bankë. Me fondet e saj dhe me materialet e naf­tës ajo ndërtonte ura, rrugë në qytete, blinte, shiste, pajiste me aparatura spitale e ndante edhe peshqeshe, auto­mobila, televi­zorë etj., ku kishte qejf Lipe Nashi i mbuluar, i ndihmuar, i mbroj­tur nga Piro Gusho.
Pra e shikoni, shokë, ç’do të thotë të mungojë vigjilenca, të besohet qorrazi, të merren vendime delikate me një lehtësi, sikur blen një palë këpucë? Kuadri është i vlefshëm kur punon mirë, por ai bëhet i keq, kur del nga binarët e Partisë, vret e pret dhe ua hipën Partisë dhe klasës në zverk».[13]
Por, në rast se gjërat janë kështu siç thotë Enver Hoxha, atëhere Koço Theodhosi, Lipe Nashi, Piro Gusho dhe Beqir Alia duhen quajtur komunistë me prirje reformatore, ndërsa Ismail Kadare një stalinist konseguent që denoncon dhe lufton çdo devijim nga dogma staliniste, duke kërkuar që devijuesit ta paguajnë me gjak guximin e vet.


Nëse Enver Hoxha do të zbatonte formulën e poezisë
të Ismail Kadaresë, të ashtuquajtur «Pashallarët e kuq»,
Shqipëria do të ishte bërë si Kamboxhia e Pol Potit

Nëse do të kërkosh origjinën e figuracionit të Kadaresë për çuarjen e tabutit të revolucionit në varr, pra për tentativën për eliminimin e atij që quhej roli udhëheqës i partisë, mund ta gjesh në një thënie të Enver Hoxhës. Enver Hoxha, në fjalimin e mbylljes në Plenumin VI të KQ të PPSH, në 17 dhjetor 1974, fjalim që mbante titullin «Të thellohemi më tej në analizën e komplotit të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos dhe të nxjerrim mësime për punën e Partisë në ushtri e në terren», u shpreh:
«Partia drejtonte në teori, pse në realitet udhëheqja e saj, me format organizative në fuqi ia kishte dorëzuar çelësat Drejtorisë Politike dhe diktatura e proletariatit, pushteti, ia kishte dorëzuar çelësat komandës, me Beqir Ballukun në krye, domethënë mini­stër dhe anëtar i Byrosë Politike, në praktikë komandë unike... Partia dhe Komiteti Qendror e humbën kështu drejtimin dhe kontrollin dhe këta armiq e izoluan këtë pjesë të Partisë nga gjithë pjesa tjetër e saj».[14]
Vargjet e mëposhtme të Ismail Kadare u bëjnë jehonë fjalëve të Enver Hoxhës, që do të citoj pas tyre:

«Kurse pamja e jashtme është ndryshe:
Buzëqeshje, tundje grushti në miting,
Thjeshtësi te xha Kamberi, tek iks gjyshe,
dhe fjalët ‘Enver, Parti, autokritikë’
Kështu ishte ditën, kurse natën.
Zbrisnin në themel ata sërish,
Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit,
Që duronte: ditën ngre e ngre e natën prish».[15]

Enver Hoxha në diskutimin e vet me titull «Shteti ynë u ngrit me gjak për të qenë i popullit», mbajtur në mbledhjen e Sekre­tariatit të Komitetit Qendror të PPSH, në 11 prill 1975, u shpreh:
«Prandaj Partia dhe klasa duhet të jenë sidomos vigjilente ndaj armiqve të çdo ngjyre dhe të çdo kalibri, që, me formula gjoja partie, gjoja leniniste, gjoja parimore, fshehin luftën që bëjnë në favor të restaurimit të kapitalizmit. Në punën e këtyre armiqve Partia dhe klasa nuk duhet të shohin vetëm lustrën e jashtme, fjalët bombastike dhe rrahjen me grushte të gjoksit, por të shikojnë dhe të gjykojnë me vigjilencë edhe ‘veprimet e mëdha të tyre, edhe veprimet e vogla’ pse veprimet sabotuese të mëdha mbështillen shumë herë me një iluzion euforik të rremë, që u del boja në veprimet e vogla të tyre».[16]
Dhe në momentin dramatik, në skenë shfaqet si «deus ex machina», vetë shpëtimtari, kurrkush tjetër veç Enver Hoxhës:
«Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë,
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe atëhere në themelet e shtetit
Zbriti, si në baladat e mëdha.

Një pishtar të kuq mbante në dorë,
Dheu dridhej: flaka mbi ta ra!
Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve,
Tek ndanin mantelet seç i pa!

 ‘Ja ku qenkeni!’ - ata u ngrinë:
‘Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!’
Po ai, i mvrenjtur, me dhimbjen në çdo thinjë
Si një mal me dimër bubulloi.

Krisht ai nuk ishte që t’i dëbonte,
Nga pushteti me kamzhik dhe stap,
ai klasën ngriti të punëtorëve,
Për ta bërë burokratizmin zap».[17]

Ismail Kadare, me siguri që ka menduar se qe duke i bërë kulmin e lavdërimit Enver Hoxhës duke e paraqitur atë si një «Mesia» të mistikës ateiste komuniste, që me aftësitë e veta të veçanta arrin të zbulojë bartësit e së keqes, ushtrinë e buro­kra­tëve me në krye «puçistët» dhe «sabotatorët», në kohën që ata qenë duke bërë «të keqen e madhe», pra kur qenë duke e marrë «kështjellën» marksiste-leniniste, çka qe Shqipëria enve­riane, duke përmbysur themelet e saj, pra duke shkaktuar për­mbysjen e regjimit komunist dhe rikthimin e kapitalizmit. Por, Enver Hoxha, ashtu si kryekështjellari në romanin «Kështjella» të Kadaresë që zbuloi tunelin që qenë duke gërmuar turqit për të hyrë në kështjellë, u tregua një kryekështjellar i denjë i Shqipë­risë-kështjellë komuniste, duke i zbuluar tradhtarët, duke dhënë alarmin, që të ngrihej ushtria e klasës punëtore për të sulmuar ushtrinë tradhtare të burokratëve.
Duke dashur që ta glorifikonte sa më shumë Enver Hoxhën, Kadare, pati bërë një gabim fatal. Ai pati dhunuar tabunë komu­niste sipas së cilës autokracia e Sekretarit të Parë duhet mbuluar me «gjethen e fikut» retorike të «Partisë». Kjo gjë qe veça­në­risht e domosdoshme dhe konvenuese për diktatorin kur bëhej fjalë për ushtrimin e terrorit të kuq, pasi Sekretari i Parë-dikta­tor nuk donte të dilte si kryegjakatari, por thjesht si një factotum (përmbushës) i vullnetit të Partisë. Për këtë arsye, Enver Hoxha, ashtu si Stalini, e kishte zakon që në kohën kur bënte spastrimet e përgjakshme t’i kritikonte bashkëpunëtorët e vet për atë se e kishin tepruar me lartësimin e personit të tij, duke u kujtuar se parësore qe partia.
Enver Hoxha, në fjalën e mbylljes në Plenumin V të Komi­te­tit Qendror të PPSH, në 26 korrik 1974, me titull «Forca e udhë­heqjes së Partisë qëndron tek uniteti», u shpreh:
«Në mënyrë të veçantë për veten time, e kam shtruar shumë herë çështjen e kul­tit të personit, shokë, dhe ju lutem që këto që po them mos m’i merrni thjesht për modesti. Unë ju bëj thirrje edhe një herë që këtë çështje ta vemë si duhet në rrugë të drejtë për të gjithë, pse kështu do të veprojmë në interesin e Partisë, në interesin e madh të popullit ndryshe do të na krijohen situata të rënda. Shprehjet e dashurisë së popullit për mua janë shprehje të dashu­­risë për Partinë, duke qenë se unë jam Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të saj. Mua, natyrisht më prek së tepërmi kjo dashuri dhe luftoj vazhdimisht që të punoj, me të gjitha forcat që kam, për ta merituar atë plotësisht, por, mbi cilindo udhë­heqës, sado merita që të ketë, qëndron Partia, ajo është e duhet të mbetet në çdo kohë forca e vetme udhëheqëse dhe e pavdek­shme».[18]
Është e qartë pra se Enver Hoxha nuk mund t’i pranonte komplimentat e Kadaresë. Shkrimtari i parë i oborrit kishte bërë një gabim për të cilin të tjerëve mund të përfundonin në burg, duke u ushqyer kështu miti se shoku Enver nuk e do kultin e personit dhe i ndëshkon rëndë ata që duan ta tërheqin dinakë­risht në linjën e kultit të personit. Por, shërbimet e shkuara të shkrimtarit të parë, qenë aq të mëdha dhe për më tepër shërbime edhe më të mëdha priteshin prej tij, saqë ky gabim mund t’i falej, për më tepër kur ai qe një gabim i bërë nga zelli i tepruar për të shërbyer.
Ismail Kadare poezinë e vet e mbyll kështu:
«Ditët ikin. Vorbullat e ngjarjeve,
Nëpër stinë e vite shtjellin furi.
Vijnë plenumet e Partisë posi ushtarët
E revolucionit në stuhi!

Ecën klasa pas Partisë në ditë epike,
Populli pas klasës derdhet oqean.
Dhe n’u mbledhtë prapë Byroja Politike,
Mesditë a mesnatë, aty gjithë janë».[19]

 «Plenumet e Partisë si ushtarët e revolucionit!» E bukur ide! Në kohën kur shkruante Kadare këto vargje ishin bërë 5 ple­nume rresht, që nga Plenumi IV i qershorit 1973 dhe deri tek Plenumi VIII i tetorit 1975, që kishin rrëzuar shumë koka njerë­zish. Kadare, me formulën e vet (burokrat = komplotist) kër­konte edhe shumë plenume të tjera të tilla vrasës, që do ta vinin Shqipërinë nën një terror polpotian.
Poezia e Kadaresë duhej të botohej në numrin e gazetës «Drita» që do të dilte në 12 tetor 1975. Por, zëvendëskrye­re­dak­tori i gazetës «Drita» që zëvendësonte kryeredaktorin, i cili atë ditë qe me shërbim, hezitoi ta botonte, me gjasë për shkak se reda­ksiakishte orientim që krijimet me frymë ultraekstre­miste, pra që kapërcenin enverizmin duke shkuar në polpo­tizëm, të ndaloheshin. Më pas kryeredaktori ia përcolli poezinë kryetarit të Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, Dritëro Agolli. Në 16 tetor 1975, kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, Dri­tëro Agolli, ia dërgon poezinë Piro Kondit, atëhere sekretar i komitetit të PPSH për Tiranë, me këtë shënim përcjellës:
«Shoku Pirro,
Po të dërgoj një vjershë të Ismail Kadaresë. Unë e lexova. Kam këto vërejtje:
1) Është tepër alarmante. Duket sikur ka ndodhur një kob i madh e një gjëmë e madhe apo një kundërrevolucion dhe Byroja Politike mblidhet papritur për ta shtypur.
2) Jepet përshtypja sikur ky kundërrevolucion ka pushtuar ministritë dhe punëtorët po i rrimarin ato. Dhe Partia duket sikur nuk sundon.
3) Identifikohen komplotistët me burokratët.
4) Në fund, ne nuk mund ta botojmë dhe për arsye se Partia akoma nuk ka dalë publikisht në shtyp kundër komplotistëve politikë e ekonomikë as në «Zëri i Popullit» dhe as në organe të tjera. Edhe redaksia e «Dritës» nuk mund t’ia botojë. Ishte në shtyp, por u hoq. Poezia ka edhe një ankth të madh, duket sikur kushedi ç’ka ndodhur».[20]
Siç shihet, Dritëro Agolli e ka kapur saktë problematikën që krijonte poezia e Kadaresë: Ajo identifikonte burokratët me kom­plotistët dhe e konsideronte burokracinë si kryengritje kundër re­gjimit që duhet shtypur me forcën e armëve, pra poezia qe pol­­potiste. Kritika e Dritëro Agollit për Ismail Kadarenë në këtë rastështë kritika e një enveristi për një polpotist.
Pas kësaj çështja sigurisht që shkoi deri tek Enver Hoxha, me urdhrin e të cilit poezia u analizua në një mbledhje të Sekre­tariatit të Komitetit Qendror të PPSH për t’u kritikuar autori i saj. Poezia u diskutua në një mbledhje të Sekretariatit të Komi­tetit Qendror të PPSH, të drejtuar nga Ramiz Alia, sekre­tar i KQ të PPSH për ideologjinë, që u mbajt në 25.10.1975. Në mble­dhje morën pjesë veç Ismail Kadaresë, edhe Dritëro Agolli, si dhe zyrtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, komitetit të PPSH për Tiranën, ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, redak­sisë së gazetës «Drita».
Në librin e Shaban Sinanit «Një dosje për Kadarenë» është botuar pjesërisht procesverbali i mbledhjes në Sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH, ku u diskutua poezia e Kadaresë dhe ky i fundit u kritikua dhe bëri autokritikë, por janë hequr emrat e diskutuesve, kështu që nuk kuptohet kush i ka thënë fjalët. Shaban Sinani, në librin e vet tenton që me publikimin e këtyre kritikave dhe të autokritikës së Kadaresë, ta bëjë Kada­renë të kapitalizojë disidencë. Gjithsesi, nga fjalët e të gjithë diskutantëve kuptohet përçmimi i madh dhe urrejtja e madhe që kanë ata për poezinë e Kadaresë. Në rast se diktatori do të zba­tonte formulën e paraqitur nga Kadareja të barazimit të burokra­tiz­mit me komplotizmin, atëhere secili nga njerëzit që ishin të pranishëm në atë mbledhje mund të bëheshin viktima të një fushate spastruese të terrorizmit jo më enverist por polpotist.
 
Ismail Kadare thotë se kritiku i tij më i ashpër në këtë mble­dhje qe Ramiz Alia. Në librin e vet «Nga një dhjetor në tjetrin» Ismail Kadare e përshkruan kështu këtë episod: «Kritika e tij ndaj meje për shkak të vjershës që u quajt ‘Pashallarët e kuq’ (kjo nuk del fare në procesverbal - K.M.), ishte aq e ashpër (dhe kjo përpara njëzet zyrtarëve që mbanin shënime midis një heshtjeje varri), saqë unë e kisha ndërprerë me pyetjen:
 
- Sipas këtyre që thoni ju, mendoni se unë jam një armik i këtij vendi?
 
- Atë do të na e thuash ti, - qe përgjigjur ai.
 
- E pra, po jua them që tani, unë nuk jam armik».[21]
 
Ramiz Alia, si të gjithë liderët komunistë enverianë qe një vrasës politik, por jo një vrasës i përmasave polpotiane. Kritika e Ramiz Alisë për Kadarenë qe një kritikë e enveristit për pol­potist. Në këtë rast Kadare qe armik i regjimit enverist nga pozi­tat e polpotistit. Në fjalët që ka thënë Ramiz Alia në këtë mble­dhje, kuptohet qartë përbuzja e një enveristi joekstremist për një polpotist:
 
«Ti, Kadare, je anëtar partie, por ti nuk e kupton disiplinën e Partisë. Vendose të dalësh me këtë poezi si zëdhënës i Komitetit Qendror. Por a mendove: pse Partia nuk ka dalë hapur? Partisë i intereson që gjithë populli të dijë se çfarë kanë bërë komplo­tistët dhe cilët janë këta. Dhe për këtë, në rrugë të ndryshme, i madh e i vogël është vënë në dijeni. Por Partia nuk shkel në dërrasë të kalbur që t’u japë material fashistëve, reaksionarëve, borgjezëve e revizionistëve, për të ngritur fushata shpifëse kun­dër vendit e Partisë sonë, sikurse përpiqen të bëjnë kur mësojnë ndonjë gjë të vogël. Tani nuk flasin se nuk kanë dokumente. Kurse ne për armiqtë komplotistë do të flasim kur të duhet. Kurse Kadare shkruan e ngul këmbë të botojë pa u këshilluar me askënd. Disi­plinë partie është kjo? Jo, kjo është sensa­cion!»[22]
Ramiz Alia, me intelektin që e shquante nga pjesa më e madhe e liderëve komunistë, ka arritur të rrokë gjendjen shpirtë­rore të Kadaresë kur e shkroi poezinë. Kadare në atë kohë kishte arritur deri atje sa ta konsideronte veten një lloj bashkë­sun­dimtari me Enver Hoxhën, një bashkëlider shpirtëror të regjimit, një gardian të regjimit, që vigjëlon në kufijtë e misti­kës për të zbuluar rreziqet që e kërcënojnë regjimin dhe vetë diktatorin.
Kritikat e të tjerëve janë të arsyeshme, po ta konsiderojmë të arsyeshëm enverizmin në krahasim me polpotizmin dhe shpre­hin përçmimin dhe urrejtjen për këtë trakt polpotist, çfarë qe poezia, që ftonte diktatorin për një fushatë të padëgjuar terrori që mund të përfshinte vetë të pranishmit dhe të afërmit e tyre. Ja disa nga kritikat:
«- Po të botohej, këtë vjershë armiqtë do ta përdornin si armë për të goditur regjimin tonë dhe gjithçka të shtrenjtë që ne ngre­më dhe mbrojmë në vendin tonë».[23]
«- Kadare përmend figurën e shokut Enver dhe këtë e bën për të treguar se këto nuk kanë të bëjnë me udhëheqësin e Par­tisë. Por si e paraqet këtë? Së pari, ai del pa Partinë, pa udhë­heqjen, ai vetë bën çdo gjë, sepse ai zbret në themele, ai bubu­llon dhe i bën thirrje klasës punëtore. Së dyti, pse ai bubullon si një mal? Në poezi paraqitet se ai vetë bën çdo gjë, vendos vetë për çdo gjë, pra, kështu paraqitet si kult i tij. Kadare ka një koncept shumë të gabuar për Partinë dhe udhëheqjen e saj. Këto janë koncepte të të tjerëve, të të huajve».[24]
«- Dihet se Hrushovi e gjithë armiqtë revizionistë e borgjezë na akuzojnë për regjim stalinian, që mbahet me terror e me gjak. Poezia i bën jehonë këtij koncepti reaksionar e armiqë­sor».[25]
Ja së fundi dhe një kritikë ku shprehet hapur kundërshtimi për frymën polpotiste të vjershës, gjithherë nga pozitat e enve­rizmit:
- «Kadare nuk ka koncepte marksiste-leniniste për diktaturën e proletariatit. Ajo është dhunë, kërbaç e plumb mbi armiqtë e klasës. Jo gjak mbi popull!»[26]
Më në fund Ismail Kadare u bind që të bënte një autokritikë, për të cilën ai nuk duhet të jetë krenar sot, pasi në autokritikën e vet ai pranoi se pati devijuar nga enverizmi, por duke shkuar në pozita polpotiste: «Unë kam shkruar dhe kam çuar për botim një vjershë armiqësore, kundërrevolucionare, të drejtuar kundër vijëssë Partisë, kundër regjimit tonë, kundër diktaturës së proleta­riatit, kundër popullit tim. Kjo vjershë është e drejtuar kundër gjithçkaje që unë kam besuar në jetë».[27]
 
Ironikisht kjo është e vërtetë. Nëse ideja që qe në qendër të poezisë së Kadaresë do të bëhej vijë e partisë, atëhere populli shqiptar do të mbytej në gjak. Dhe më tutje, në autokritikën e Kadaresë thuhet: «Me vjershën time të fundit unë bëra fajin më të rëndë ndaj Partisë: armën të cilën Partia më kishte besuar për të goditur borgjezinë dhe revizionizmin, e ktheva kundër saj. Pavarësisht se këtë nuk e bëra me qëllim, arma, edhe e shkrehur pa dashje, të vret».[28]
 
Shikoni si Kadare këtu vazhdon të zbulojë se si e pati ngri­tur mekanizmin e terrorit në idenë e poezisë së vet. Burokratët ai i përcaktonte si borgjezë dhe revizionistë, pra si armiq, sipas standardeve të regjimit, i cili borgjezët dhe revizionistët i çonte në burg, madje edhe më keq, në pushkatim. Poezia e Kadaresë u ndalua sepse Shqipëria e Enver Hoxhës, edhe pse qe një dikta­turë e përgjakshme, megjithatë nuk qe Kamboxhia e Pol Potit. Prandaj u vu në lëvizje mekanizmi i regjimit për ta detyruar Kadarenë që të bënte autokritikë. Ndalimi i poezisë dhe kritika ndaj Kadaresë është një ndër rastet e pakta kur regjimi komunist ka bërë diçka të drejtë dhe të mirë.
 
Ismail Kadare, në librin «Nga një dhjetor në tjetrin» shkruan për mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror ku u mor në analizë poezia e tij: «Pjesëmarrës të asaj seance, më kanë thënë më pas: Tani që po e kujtojmë na duket si një makth. Kjo duhet të jetë kritika më e egër që i është bërë ndokujt në këtë vend».[29]
Por, siç kam shkruar më lart, kjo qe një kritikë nga pikë­pamja enveriste, kundër polpotizmit. Dhe në këtë pikë nuk mun­­det të mos bëhet pyetja: Atëhere si shpjegohet që Kadare shpë­toi pa u ndëshkuar, pra pa përfunduar në burg, kur kritika më të buta shkrimtarëve të tjerë u sollën si dhuratë prangat? Mos­ndësh­kimi i Kadaresë nuk erdhi vetëm për faktin se dik­ta­tori nuk donte që të humbte vepra e Kadaresë, e cila i konve­nonte atij dhe tashmë qe bërë pjesë e ideologjisë së regji­mit, por edhe për një arsye tjetër. Në kohën e sundimit të PPSH, e cila qe një parti ekstremiste e majtë, ultraekstremistët e majtë janë kriti­kuar, por gjithherë janë trajtuar me indulgjencë, si zelltarë të tepruar. Kadaresë i shkon si epigram konstatimi i cituar më lart (f. 111), i Todi Lubonjës për ultraekstremistët e majtë në PPSH:
«A ishin orto­doksë të vërtetë (fjala ‘ortodoks’ këtu është në sensin e atij që pretendon se ndjek parimet e vërteta - K.M.) a rrufjanë të vër­tetë që e kishin ngulur mirë në kokë se në Partinë tonë arki­tekt i së cilës është Enver Hoxha nuk e kanë pësuar zakonisht sek­tarët, për këtë nuk di ç’të them. Por duket e sigurt se këta nuhatnin dhe e ndjenin se ishte më mirë, që kurdoherë të mba­nin nga e majta, se kështu ruanin bythët e tyre».
A ka qenë Kadare, po të shprehem në termat e Todi Lubo­njës komunist ortodoks apo rrufjan, kjo mbetet për t’u zbuluar. Një gjë është e sigurt. Ironikisht, në disa raste Enver Hoxhës, diktatorit stalinist eksremist, kryegjakatarit të regjimit gjakatar, i duhej të merrte pozitën e një lloj moderatori për të frenuar ultraekstremistët, që kërkonin ta çonin regjimin në polpotizëm. Kështu, Enver Hoxha u detyrua që ta frenonte në tetor 1975, shkrimtarin e parë të oborrit pasi ai mori revan si kalë i tërbuar, duke dashur që ta tërhiqte karrocën e regjimit ku ishte mbrehur, në humnerën e përgjakshme të polpotizmit.
Ismail Kadare nuk ka asnjë arsye për të cilën mund të krenohet me këtë poezi të vetën. Poezia është një himn i terrorit të kuq, madje i versionit më ekstremist të tij, polpotizmit. Unë nuk besoj që në të gjithë letërsinë e vendeve komuniste të ketë patur një poezi tjetër që të përmbajë një apel kaq të egër për terror masiv të kuq, një poezi ku grupime të mëdha njerëzish të pafajshëm të shenjohen si kriminelë dhe të kërkohet në një gjuhë kaq sadiste dhe makabre asgjësimi i tyre fizik. Është sigurisht një shprehje cinizmi dhe korrupsioni moral në shkallën më të lartë që një poezi të tillë-manifest dhe himn të terrorizmit masiv polpotist ta paraqesësh në vitin 2005 si një poezi disi­dente, siç bën Shaban Sinani.
Kjo poezi e Kadaresë ka vlerë sot vetëm në një aspekt dhe madje një vlerë universale. Poezia mund të shihet si monologia në vargje e Dekretit të qeverisë bolshevike të 5 shtatorit 1918 «Mbi terrorin e kuq». Vetëm në këtë dekret terrorizmi masiv i kuq himnizohet kaq hapur dhe në mënyrë cinike dhe sadiste. Gjithashtu, poezia e Kadaresë me siguri do të qe duartrokitur nëse do të qe lexuar në tubimet e kmerëve të kuq të Pol Potit, që patën ardhur në pushtet në Kamboxhia pikërisht në vitin 1975 dhe që patën filluar atje një terror të llojit që propozohej në poe­zinë e Kadaresë.
Ismail Kadare ka pretenduar se pas kritikës që iu bë për këtë poezi ai u çua për ndëshkim në një fshat të Lushnjës. Por e vërteta është se vajtja e tij në Lushnjë në 1975 u bë në kuadrin e fushatës së qarkullimit që filloi Enver Hoxha, gjatë së cilës edhe anëtarë të Byrosë Politike u çuan në rrethe dhe Kadare zgjodhi Lushnjën për të shkruar një novelë për luftën kundër sabota­to­rëve në industrinë e naftës («Emblema e dikurshme», 1976), ku «sabotatorët» e zbuluar nga Enver Hoxha i nxjerr si vazhdues të një tradite historike, duke letrarizuar akuzën e Enver Hoxhës. Që Kadare nuk u ndëshkua kuptohet nga fakti se në 28 dhjetor 1976 ai qe në vendin e vet si deputet në parlamentin komunist (Kuvendin Popullor) ku ngriti kartonin për të miratuar Kushte­tutën e vitit 1976, që është Kushtetuta më monstruoze në histo­rinë e jurisprudencës botërore, një dokument juridik i terroriz­mit, e cila e artikuloi në maksimum juridikisht mekanizmin e kri­mit dhe të terrorit komunist, duke u bërë burimi i të gjithë legjis­lacionit terrorist të regjimit, me të cilin kryhej genocid kundër asaj pjese të popullsisë që shihej si armike në luftën e klasave.
Poezia e Ismail Kadaresë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh» duhet të përfshihet në «Libri i Zi i Komunizmit» si një traktat-apel për genocid masiv. Ismail Kadare, vetëm për faktin që është autor i kësaj poezie, nuk meriton që të mbajë titullin «Nderi i Kombit».


[1] Cituar sipas: «Dokumete kryesore të PPSH», vol. VI, «8 nëntori», Tiranë, 1978, fq. 467-469.

[2] Enver Hoxha, «Për pushtetin popullor» - përmbledhje veprash, «8 nëntori», Tiranë, 1984, fq. 542-543.

[3] Cituar sipas: Shaban Sinani, «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë, 2005, f. 231.
[4] Po aty.
[5] Po aty, fq. 231-232.

[6] Ismail Kadare: VEPRA, vol. 2, «Naim Frashëri», Tiranë, 1981, f. 150.

[7] Shaban Sinani: «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë, 2005, f. 238.

[8] Cituar sipas: Shaban Sinani, «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë, 2005, f. 235.

[9] Enver Hoxha, «Për pushtetin popullor» - përmbledhje veprash, «8 Nëntori», Tiranë, 1984, f. 554.
[10] Cituar sipas: Shaban Sinani, «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë, 2005, fq. 232-233.

[11] Enver Hoxha: «Raporte e fjalime 1974-1975», «8 nëntori», Tiranë, 1985, f. 144.
[12] Enver Hoxha: «Për ushtrinë popullore», «8 nëntori», Tiranë, 1984, f. 98.

[13] Enver Hoxha: «Për pushtetin popullor» - përmbledhje veprash, «8 nëntori», Tiranë, 1984, fq. 543-544.

[14] Enver Hoxha: «Për ushtrinë popu­llore», «8 Nëntori», Tiranë, 1984, f. 239.
[15] Cituar sipas: Shaban Sinani, «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë, 2005, f. 233.
[16] Enver Hoxha: «Për pushtetin popullor» - përmbledhje veprash, «8 Nëntori», Tiranë, 1984, f. 556.

[17] Cituar sipas: Shaban Sinani, «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë, 2005, fq. 234-235.

[18] Enver Hoxha: «Për ushtrinë popullore», vol. II, «8 Nëntori», Tiranë, 1984, f. 39.

[19] Cituar sipas: Shaban Sinani, «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë, 2005, f. 236.


[20] Cituar sipas: Shaban Sinani, «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë, 2005, fq. 217-218.

[21] Ismail Kadare: «Nga një dhjetor në tjetrin», «Fayard», Paris, 1991, f. 26.
[22] Cituar sipas: Shaban Sinani, «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë, 2005, f. 226.

[23] Po aty, f. 238.
[24] Po aty, f. 224.
[25] Po aty, f. 222.
[26] Po aty, f. 225.

[27] Po aty, f. 237.
[28] Po aty, f. 243.
[29] Ismail Kadare: «Nga një dhjetor në tjetrin», «Fayard», Paris, 1991, f. 27.