ISMAIL KADARE TEK «NËNTORI I NJË KRYEQYTETI» KËRKOI ELIMINIMIN E LASGUSH PORADECIT DHE BËN APOLOGJINË E TERRORIT KOMUNIST NDAJ INTELEKTUALËVE






Romani i Ismail Kadare «Nëntori i një kryeqyteti» tregon për ditët e trazuara të nëntorit 1944 në Tiranë, kur gjermanët po tërhiqeshin hap pas hapi nga kryeqyteti, ndërsa partizanët po hynin atje. Në roman autori tregon atmosferën e një lufte që duket qartë se ishte klasore, ideologjike dhe bëhej për të për­mbysur rendin shoqëror ekzistues dhe për ta zëvendësuar atë me një rend të ri, komunizmin:
«Midis batërdisë së luftës dëgjoheshin që larg copëra kën­gësh. Kuq është nga lind e perëndon... Pararoja, pararoja... Kurse këngët ishin kërcënuese. Në pallatet madhështore, dridhet korbi gjakatar... Që larg, midis zallamahisë së luftës, të shqyera prej saj dhe prej erërave, vinin copëra vargjesh të karfosura pas muzikës si pas një salvaxhenteje. Nga kishin dalë kështu këto lloje këngësh që të ngjethnin mishtë me informacionin e zi që jepnin?! Ato s’janë muzikë, po ekonomi politike, kishte thënë bankieri Rrokaj. Dhe vërtet, më tepër se këngë, ato ishin shpa­llje ligjesh të reja, afate ultimatumesh e shtetërrethimesh, dek­rete, programe ekonomike, tarifa, orare, itinerare internimesh, kryqëzimesh, harrese. Ata i dëgjonin me vëmendje, i analizonin një për një rreshtat e tyre, i kthenin në shifra, vite burgimesh, tatime, nganjëherë breshëri plumbash të skuadrës së pushka­timit. Allah, thoshin ata, Jezu Krisht, si është e mundur që gjithë këtë mynxyrë ta dëgjojmë më përpara si melodi. Edhe boria e Xhebrailit, ditën e gjyqit të fundit, nuk do t’ju dukej kaq mizore, se këto këngë të përpikta si lajmet e bursës. Dhe deliret më të tmerrshme, që provonin gjithmonë e më shpesh, nuk ishin mun­dë­sitë e vdekjes së tyre, as gjyqet e ardhshme (emri, korbi, mbiemri, gjakatar, dënohesh me njëqind e një vjet burg, mos të duket shumë, korbi rron gjatë, siç thotë zoologjia, treqind vjet)... Pra deliret më të tmerr­shme s’ishin këto por bravat dhe kyçet e tyre, të cilat në çastet e kllapisë iu dukeshin se ishin zbutur si pelte, se po rridhnin nga vrimat e dyerve si lëndë viskoze. Ata vinin kompresa me ujë të ftohtë në kokë, për të ndaluar këtë delir, sepse ishin gati më mirë të shihnin koskat e tyre të dekompo­zoheshin ashtu, sesa bravat dhe kyçet e hekurta... Shpesh goditja ishte kaq e fortë, sa fytyra mbetej e ngrirë, e larguar, si një madem hëne. Ju, borgje­zët e fëlliqur, ja ku po vjen, ja, ku po vjen».[1]
Romani është një himn i terrorit komunist. Një nga persona­zhet kryesore pozitive - sipas termave të realizmit socialist - që Kadare e përshkruan me shumë dashuri është komunisti parti­zan Javer Kurti, i cili ka vrarë xhaxhanë e vet në tryezën e ngrë­nies, për shkak të konfliktit ideologjik. Në roman thuhet për Javer Kurtin:
 «Disa ditë më parë se ai të vinte në mal, një aero­plan i nga­thët, me ca turinj të shtypur, duke fluturuar sipër katundtheve të ciknosura nga dimri, hidhte ca letra të shty­pura, ku tregohej se si një komunist i ri me emrin Javer Kurti kishte vrarë xhaxhanë e vet ballist në bukë e sipër. Kur pas një jave u fol se ai ilegal i ri kishte mundur t’u ikte milicëve dhe porsa kishte mbërritur në batalion, partizanët qenë bërë kureshtarë për ta njohur».[2]
Në qendër të romanit është lufta e një kompanie partizane për të marrë radiostacionin (ndërtesën e Radio Tiranës). Këtë luftë autori e përshkruan si aspekt të luftës klasore. Radiosta­cioni ishte gjuha e shoqërisë së vjetër, dhe forcat që po e shkatë­rronin atë dhe po ndërtonin shoqërinë e re, duhet ta prisnin atë gjuhë, dhe ta bënin radiostacionin gjuhën e tyre. Pra, beteja për propagandën, aq e rëndësishme dhe e dashur për komunistët, në të gjithë botën. Në këto ditë përmbysjesh shoqërore, sipas manua­lit rus të luftës civile, duhen eliminuar, sa më tepër që të jetë e mundur, jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe ata që nesër do të jenë disidentë potencialë, sipas parimit komunist: Nëse nuk je me ne, je kundër nesh!
Gogo Nushi, në atë kohë sekretar i Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste Shqiptare për Tiranën, në Plenumin II të Komitetit Qendror të PKSH, që u mbajt në Berat në fund të nëntorit 1944, u shpreh:
«Me hyrjen e forcave tona në Tiranë janë vrarë 60 veta, e kemi dhe listën e tyre. Unë i njoh këta emra dhe asnjë prej tyre s’meritonte të vritej. Kjo është konsekuencë e vijës sonë. Jam i sigurt se do të ketë dhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar të 100 vetët».[3]
Në shënjestër të terrorit të kuq ishin intelektualët, ata që kishin emër, dhe që nesër kishin prirje në mos për t’u bërë kundërshtarë politikë, për të mos u bërë konformistë në shoqë­rinë e re që do të ndërtonin komunistët, pas ardhjes në pushtet. Në romanin e Kadaresë tregohet historia e njërit prej këtyre intelektualëve të papëlqyeshëm për komunistët që po vinin në pushtet, Adrian Gumës, të cilin autori e paraqet si një nga ata intelektualët e paangazhuar politikisht, që e gjen veten jashtë kohe në atë periudhë përmbysjeje shoqërore. Në roman, Kadare, me anë të historisë së Adrian Gumës përgënjeshtron historitë për terrorin e kuq që u ushtrua në Tiranë, në ditët kur komu­nistët ishin duke e marrë qytetin nën kontroll. Kadare shkruan për atë që ai e quan «Legjenda e martirizimit të Adrian Gumës»:
«Nuk u mor vesh si u bë skicimi i parë i legjendës së martiri­zimit të shkrimtarit Adrian Guma, autorit të ‘Elipseve të shtër­gjeve’. Duhej të ishin përdorur kallëpe të vjetra evropiane dhe muslimane - aziatike njëkohësisht, të cilat, pasi qenë shkundur nga pluhuri, ishin gati për të derdhur në to brumin e ri të legje­ndës. Pas projektimit, realizimi i saj ishte një gjë e lehtë. Kjo ishte një teknologji e lashtë, vepër kolektive e mijëra gojëve, veshëve, zhgënjimeve nga jeta, pikëllimeve erotike, ëndrra për lavdi, të gatshme, për t’u paguar qoftë edhe me vdekjen e bujshme të vetvetes, përfytyrime të tabutit tënd që noton në një bardhësi lulesh dhe zi kostumesh, ngrohtësia e jastëkëve nën gulçimën e dikujt, inicialet Z.K.M., që vërtiten si zogj të vegjël të zinj nëpër qiellin bosh dhe gjithçka tjetër që i mungon dhe që e pikëllon me largësinë e saj jetën njerëzore.
Zgjedhja e Adrian Gumës ishte një rastësi. Rendi që po ikte, do të krijonte patjetër një martir. Ishte e natyrshme që kandida­tin për martir ta zgji­dhte nga vetvetja, por ishte më bindëse që ta gjente atë midis neutralëve.
Bërthamën e legjendës, ashtu si të çdo legjende të tillë, e përbënte një vdekje e dhunshme. Adrian Guma e kishte këtë vde­kje, pavarësisht se dhunuesi i jetës së tij ishte ai vetë. Pikërisht këtu u bë dhe modifikimi: Në natën e 14 nëntorit, në periferi të Tiranës, shkrimtari Adrian Guma, pasi u la tri ditë pa ujë, u martirizua prej komunistëve. Ai u mbërthye me bajoneta në një lis qindravjeçar (vend i ardhshëm pelegrinazhi), dhe mbi trupin e tij të masakruar iu vizatuan me bajonetë elipset e fam­shme të shtërgjeve, motiv i preferuar i artit të tij.
Siç shihet, u shfrytëzuan dy elemente rutinore: etja dhe kry­qëzimi. Njëri u mor, siç duket, nga pikëllimi musliman për Abaz Aliun e shkretëtirës, kurse tjetra nga krishtërimi. Legjenda kishte tani gjithçka: pjesën e saj të rëndë, themelin e zi, që ishte vdekja, dhe pjesën tjetër, eterike, të kaltëreme, elipset e zogjve shtërgj. Ajo mund të fluturonte tani lehtësisht mbi qytetin gjë­mimtar».[4]
Në këto rreshta duket qartë se Kadare i vesh personazhit të Adrian Gumës cilësi të Lasgush Poradecit. Motivin poetik me zogjtë shtërgj (një fjalë krahinore për lejlekun) e ka pasur Las­gush Poradeci. Ismail Kadare librin e vet për Lasgush Porade­cin, të botuar pas vitit 1990, po për të cilin pretendoi se e kishte shkruar në 1986, e titulloi «Ikja e shtërgut». Në këtë libër Kadare shkruan për Lasgush Poradecin, duke cituar dhe një varg të tij: «Në vjeshtë shtërgjet duhet të dukeshin që këtu, tek niseshin për larg. ‘Fluturoi dhe shtërg i fundit madhështor me shpirt të gjorë’. Më erdhi të thosha: ku do të nisesh, shtërg i madh, dhe ku do të na lesh ne të gjorëve?»[5]
Gjithashtu, duket qartë se dhe me mbiemrin e personazhit të vet, «Guma», Kadare ka bërë një përafrim me mbiemrin «Gusho», që është mbiemri i vërtetë i Lasgush Poradecit, që kështu kishte emrin e artit. Se përse Kadare e ka bërë këtë gjë, do ta tregoj më tutje. Nëse rendi që po ikte ato ditë nëntori të vitit 1944 kishte nevojë për martirë, siç thotë Kadare, ai nuk kishte pse t’i shpi­kte se terrori komunist ia jepte, madje me tepri. Por, rendi që erdhi kishte nevojë për apologji të terrorit, dhe këtë gjë vazh­donte ta bënte edhe 30 vjet më vonë, me anë të Kadare. Romani i Kadare është apologjia e terrorit të kuq ndaj intelek­tualëve në nëntorin e vitit 1944, në Tiranë. Në personazhin e Adrian Gumësparaqitet intelektuali tipik që u bë viktimë e terrorit të kuq në Tiranë, në nëntor 1944. Në romanin e Kada­resë tregohet se Adrian Guma, për të cilin u hap fjala se e vranë komunistët, në fakt vrau veten, në një situatë shpirtërore. Nën­teksti është se në atë moment përmbysjeje shoqërore edhe të tjerë intelektualë si ai kanë vrarë veten në një moment krize, dhe kjo del, sipas Kadaresë, e vërteta e intelektualëve të vrarë në Tiranë në nëntor 1944. Kështu, edhe të vrarët e Hotel «Bris­tol», në qendër të Tira­nës, kanë qenë viktima të vetvetes, në një vetëvrasje masive. Ismail Kadaresë mund t’i jetë kërkuar nga regjimi komunist që të shkruante një roman për të bërë alibinë e terrorit të kuq të ushtruar në Tiranë në nëntor 1944, ama sigurisht që Kadaresë nuk i është kërkuar që me këtë rast të denigrojë Lasgush Pora­decin. Këtë gjë Kadare e ka bërë nga ligësia e vet, nga salie­rizmi.
Adrian Guma kërkon të gjejë kohën e vet, jashtë kohës:
«Gjithë këto vitet e fundit, midis turbullirave dhe rrebesheve të shkaktuara nga të dyja palët, ai kishte kërkuar një kohë të tretë, një kohë të vetën, më të përgjithshme dhe eterne, që qëndronte sipër pasioneve dhe batërdisë, si qielli i ftohtë që rri sipër furtunave. Ai ishte i bindur se pikërisht kjo ishte koha e vërtetë. Të tjerat ishin shi, kërleshje resh, bubullima dhe gjuru­lldi, por kurrsesi kohë».[6]
Por, nën dritën e këtyre që ka shkruar Kadare më lart, ngjaj­në shumë cinike ato që shkruan ai për Lasgush Poradecin tek «Ikja e shtërgut»:
«E kisha dashur përherë Lasgush Poradecin, me një dashuri të veçantë, që kishte gjithmonë brenda saj një brengë, një qor­tim. Por, edhe dashuria për të, edhe brenga edhe qortimi ishin të një përmase të veçantë, përtej të zakonshmes, gati-gati miste­rioze.
Po aq sa për vjershat e tij të bukura, ndoshta më shumë se për ato, kisha mall për kohën që kishte vdekur bashkë me të. Një kohë gjithashtu e papërcaktueshme lehtë (as kohë e mbretë­risë, as e republikës, as e paraçlirimit), jo, një kohë tjetër, që mund të ishte brenda të triave, e mund të mos ishte askund. Më shumë se atë vetë, doja tek ai ëndrrën mallëngjyese për diçka të tretur. Të pakthyeshmen. Të pamundurën. Prej vitesh ishte dhe s’ishte. E kishin mënjanuar, mungonte në të gjitha ceremonitë. Dhe ndoshta pikërisht midis ceremonisë, pranimit të festës, niste qortimi për të. Por, edhe ai vetë, si çdo gjë tjetër që lidhej me të, ishte e tjetërfartë, e përgjithshme, flu, më tepër qortim ikonash...
Ishte braktisur diçka që s’duhej braktisur. Ishte shkelur me këmbë ëndrra. Nga sallat tona të mbledhjeve, të ndriçuara bruta­lisht, dukej sikur ai, munguesi i madh, kishte marrë pranimin e përkorë të llambadarëve të vjetër, për të stolisur me të sarko­fagun e vet».[7]
Por, tek «Nëntori i një kryeqyteti» Ismail Kadare i paraqet kështu këta lloj njerëzish në ditët e përmbysjes së nëntorit 1944:
«Pas groteskëve dhe të marrëve, të shtyrë më tepër nga një rutinë e vjetër, sesa nga ndonjë qëllim, dilnin herë pas here rru­gëve shkrimtarë të mesëm e të vegjël, shumica formalistë, klasi­kegjantë apo parnasienë të vonuar të republikës së parë e të dytë dhe të mbretërisë. Ata ecnin si të trallisur me tëmthat e shtrë­nguar nga një si dehje, që ua shkaktonte vetë ideja se po jetonin në çast të madh e tragjik dhe që në biografitë e tyre do të shëno­hej se ata kishin qenë... po kishin qenë atje, midis Purgatorit dhe... Ferrit, midis Purgatorit dhe... Parajsës, atje ku këmbe­heshin dy epokat, midis të cilave ata do të shtriheshin të ngrirë e të bardhë si në një tabut balladash.
Ajo që ndodhte përreth tyre, u dukej si një afresk i madh, krejt i pakuptueshëm, i ngjashëm me një vegim që është i destinuar të zhduket. Ajo që mund të shpëtohej, ishte vetëm një pjesë e vogël e këtij afresku, e rindërtuar zbehtë, copëra-copëra kujtimesh të çngjyrosura, me mungesa midis, me humbje, ashtu siç mund të jetë vetëm rikonstruksioni i një ëndrre. Ai mund të bëhet shumë-shumë në mëngjesin e ditës së nesërme, po kurr­sesi pas disa ditësh e aq më pak pas disa vitesh».[8]
Këta njerëz ishin gjahu i skuadrave të vrasësve të kuq dhe nëse i shpëtonin valës së parë të terrorit, i prisnin më pas burgjet dhe internimet. Lasgush Poradeci është përjashtimi që vërteton rregullin.
Në roman, Adrian Guma ato ditë nëntori gjendet në Hotel «Kontinetal», në qendër të Tiranës. Vini re këtu ngjashmërinë me ngjarjen e Hotel «Bristol», që ishte në qendër të Tiranës. Adrian Guma porsa është grindur dhe ndarë me të dashurën e vet, Kristinë Dakli, e cila është xheloze për rivalen e saj, të dashurën tjetër të Gumës, Mirjam Morina, që është folësja kryesore e Radio Tiranës. Ismail Kadare shkruan për Adrian Gumën:
«Ndërsa vështronte nga dritarja e Hotelit në bulevardin ‘Mu­solini’, të lagur e të shkretuar, ai përfytyroi se si ajo ecte tani ndoshta akoma në trotuarin e tij, me atë të hedhurën e saj të lehtë, duke nxjerrë në ecje e sipër pasqyrën nga çanta dhe duke murmuritur nëpër dhëmbë: ‘maskara’. Megjithëse nuk ishte hera e parë që një takim i tyre mbaronte kështu, ai ngriti supet, mblodhi buzët dhe i shkoi nëpër mend se sido qoftë, kjo fjalë ‘maskara’, nuk do të tingëllonte ndoshta kaq rëndshëm, sikur të mos e kishte theksin në rrokjen e fundit. Dy-tri herë ai e për­së­riti atë me vete, duke ia vënë theksin në mes, ‘maskara’, por megjithatë fjala nuk iu duk sadopak më e pranueshme, dhe buzëqeshi hidhur. Maskara. Maskara».[9]
Autori e etiketon me gojën e së dashurës së tij, intelektualin e paangazhuar Adrian Guma, si «maskara». Pasi Adrian Guma ndahet me të dashurën, ai fillon të meditojë për situatën në të cilën gjendet vendi:
«Vendi po bëhet gati të ndërrojë rend, mendoi ai».[10]
Adrian Guma, duke mos ditur ç’të bëjë del në rrugë, ku bëhet dëshmitar i ikjes së madhe të elitës së rendit shoqëror që po përmbysej:
«Përjashta ishte ftohtë dhe ai ngriti jakën e palltos së madhe. Në bulevardin ‘Musolini’ s’kishte frymë të gjallë njeriu... Po binte muzgu. Shpejtoi hapat, ndërsa veshi i tij përpiqej të kapte për së dyti një si zallahi të largët, që iu duk se era e solli për së dyti nga e djathta. Mendoi se ishte treguar i pavëmendshëm që e kishte lënë veten të mbetej kështu qyqan, në këtë bulevard të vdekur. Zallahia e largët u përsëdyt, dhe ai me një lëvizje të vrullshme u kthye në një rruginë anësore, që iu duk se po e çonte drejt saj. Pas disa minutash ecjeje e ndjeu që nuk kishte gabuar. Dëgjoheshin që larg bori makinash dhe një zhurmëri e vazhdueshme monotone. Kur doli në Rrugën Mbre­tërore ajo që i panë sytë ishte e habitshme. Krejt ndryshe nga bulevardi ‘Mu­so­lini’, ajo ishte plot gjallëri. Me dhjetëra vetura, qerre, karroca të zeza pasanikësh, motoçikleta, kuaj, kamion­çina, xhipe, taksi, të ngarkuara plot e përplot me njerëz dhe dengje lëviznin nga­dalë, pritnin përpara hyrjeve të shtëpive luksoze, u binin borive, gërvisheshin, iknin drejt xhadesë perë­ndimore të kryeqytetit.
Po ikin, tha ai me vete. Midis mjeteve lëvizëse dukeshin aty-këtu vetura të zeza ministrash, deputetësh, klerikësh të lartë, vetura të tjera ngjyra-ngjyra tregtarësh të mëdhenj, bejlerësh, kuislingësh, bankierësh, ish-ministrash të mbretërisë së parë, vetura sportive hanëmesh moderne, aktivistësh të organizatave fashiste, kumarxhinjsh të njohur».[11]
Adrian Guma është një nga ata që nuk gjen arsye pse të ikë, edhe pse nuk është entuziast për rendin e ri shoqëror që po vjen. Në një moment madje autori i ve në gojë Adrian Gumës edhe një shprehjeje përçmimi për ata që po ikin:
«Rruga Mbretërore dhe më tej xhadeja e perëndimit, gjatë gjithë gjatësisë së tyre shtriheshin të kamxhikosura kështu nga fasha drite dhe errësire. Rruga e evakuimit, tha ai me vete. Ndoshta ky do të ishte edhe emri i saj në të ardhmen. Zorra e trashë e këtij vendi».[12]
Duket qartë se Adrian Guma nuk e identifikon veten me ren­din shoqëror që po përmbysej, madje për organizmin e shoqë­risë e quan atë që po ndodhte si një veprim aq të shëndet­shëm sa jashtëqitja. Por megjithatë ai nuk ishte me komunistët dhe sipas logjikës së këtyre, ai ishte armik i tyre, aq më tepër që ishte një intelektual i spikatur. Sa më i lartë që të ishte profili i një intelektuali asnjanës, aq më armiqësor bëhej ai për komu­nistët. Adrian Guma nuk bënte përjashtim nga ky rregull. Duke ecur pa e ditur as vetë se ku shkonte, Adrian Guma befa­sisht «ndërron rend» para se vendi ta bëjë këtë gjë, duke hyrë në zonën e kontrolluar nga partizanët:
«Ndodhej në fundin e Rrugës Mbretërore. Disa hapa më tej fillonte zona e shtetrrethimit dhe e errësimit të detyruar».[13]
Kadare, ndërsa e bën Adrian Gumën të kapërcejë vijën e ndarjes në zonën e hijes, kujdeset që atij tashmë t’i ketë ardhur ideja e vetëvrasjes:
«Atij i erdhi ndërmend ajo plakë tiranase që mbushte ujë te çesma, dhe pastaj, kushedi pse, titulli i veprës së tij ‘Elipset e shtërgjeve’, me lajtmotivin e famshëm ‘në elipset e shtërgjeve sa herë kam vdekur’. Para se të vdisje në elipset e tyre, duhej të kishe vdekur tjetërkund, kishte shkruar një G.G. në ‘Botën e re’, në Shqipërinë tonë ka kaq mundësira sakrifi­kimi. Mos kini merak, tha ai me zë, do t’jua plotësoj edhe këtë dëshirë».[14]
Pra, Adrian Guma, para se të dalë para komandantit partizan, ku e çojnë partizanët me të cilët ndeshet rrugës, e ka ndarë mendjen se do të vrasë veten. Takimi i Adrian Gumës me koman­dantin partizan, është një përgënjeshtrim i së vërtetës historike për mënyrën se si u pritën qindra intelektualë që shkuan ato ditë tek partizanët, një pjesë e madhe e të cilëve u ekzekutuan, ndërsa një pjesë tjetër e madhe u arrestuan, për t’u dënuar më pas me burgje, internime. Në roman takimi i Adrian Gumës me ko­man­dantin partizan përshkruhet kështu:
«- Vonë, - tha më në fund komandanti, pa e ulur llambën, -tepër vonë, - shtoi më tepër me keqardhje se me zemërim.
Te dera ai ndjeu një boshllëk në gjoks, një mungesë të madhe brenda organeve të frymëmarrjes, sipër stomakut. E kishte ditur se në këtë botë fjalët janë si ata thasët që nuk e zbrazin kurrë gjer në fund barrën që kanë përbrenda, përndryshe do t’i shurdhonin si gjëmimi i motit veshët e dëgjuesve. Por këto fjalë, ‘është vonë tepër vonë’, e zbrazën mbi të gjer në fund tërë kuptimin e tyre të hidhur. Ai kishte mbetur prapa kohës. Ajo ikte, ikte përpara, dhe humnera midis tij dhe asaj sa vente rritej.
- Megjithatë, - tha me zë të ulët njeriu që e mbante llambën në dorë, por ai nuk e dëgjoi atë ‘megjithatë’. Ndoshta po të kishte parë lëvizjen e buzëve të tij, do ta kuptonte fjalën, por krahu që mbante petromaksin ishte ulur pak, si duket nga lodhja, duke lënë në errësirë nofullën e folësit.
Pastaj petromaksi u ul mbi tryezë pasi i lëkundi edhe një herë muret dhe tavanin dhe gjithë jetën e tij, dhe ata të gjithë u përkulën prapë mbi hartën ushtarake.
Ai kishte mbetur në rrethin e hijes. U kthye ngadalë dhe, pa zhurmë, doli. Safeti doli pas tij.
- Unë po iki, - tha ai - ti rri këtu, rrotull. Në mëngjes mund të hysh në punë për ndonjë gjë».[15]
Ja se si priteshin intelektualët e paangazhuar që shkonin tek partizanët aq vonë, në ato ditë nëntori të vitit 1944, thotë Kadare. Adrian Gumën vërtet e qortojnë për shkak se ka ardhur vonë, megjithatë nuk e keqtrajtojnë dhe, duke mos ditur ç’të bëjnë me të i thonë të rrijë andej rrotull. Nuk i mirëpresin, por as nuk i keq­trajtojnë. E nëse pas kësaj ata vrasin veten kjo është punë e tyre.
Kriza e personalitetit e Adrian Gumës shkon deri në skajin e mbramë dhe ai vret veten:
«Toka ime që m’u bëre njerkë, mendoi me gishtat e futur në dhe. Një ngashërim, njëlloj sedre e fyer, që ajo kishte aq shumë bij, kurse atë po e braktiste, një hm, do të pendohesh kur të shikosh ç’do të bëj, por do të jetë vonë; pastaj mendimi i hidhur se toka s’pendohet kurrë për asgjë dhe pastaj ai boshllëk poshtë brinjëve, ah, ajo mungesë që ishte më e tmerrshme se prania e çdo dhembjeje, dhe më në fund, befas, sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, takat e një gruaje, që ikte nëpër rrugë, duke shqiptuar vazhdimisht ‘maskara’. Mjaft, - tha ai, ja që mos të të dëgjoj ty dhe gjithë të tjerët. Dhe me shpejtësi, sikur nga lëvizja e tij varej ndalimi i hapave të saj atje larg, ai nxori revolverin dhe e qëlloi veten e tij poshtë brinjëve, pikërisht në atë vend ku i dukej se ishte ai boshllëku i madh, që ai, për një të dhjetën e sekondës pati ndjesinë thua se po e mbushte më në fund me diçka... Nga lart vinin ca zëra të huaj, që shtjelleshin me spirale të fuqishme mbi një horizont gjëmimtar, si diametri i një humnere. Kush shtiu? Kush shtiu? Asnjeri, Asgjë. Na bënë veshët. Ju bënë veshët, tha ai me vete. Ju bënë sytë. Unë s’kam qenë kurrë. Dhe vdiq».[16]
Nënteksti i Kadaresë këtu është se ai që kishte shkruar për elipset qiellore të shtërgjeve, duke e identifikuar veten me ta, në fakt vdiq si krimb në një kanal. Ja, thotë Kadare, në ato ditë të trazuara nëntorit të vitit 1944, kishte intelektualë që vrisnin veten për shkak të krizës personale që pësonin në atë situatë, dhe për këtë pastaj gojët e këqija fajësonin komunistët. Adrian Guma është një rast tipik. Në roman komandanti partizan jo vetëm që nuk ka dhënë urdhër për ta pushkatuar atë, por madje interesohet dhe i pyet partizanët se mos ndonjë prej tyre e ka keqtrajtuar atë, duke e shtyrë në vetëvrasje:
«- Ai njeriu i mbrëmshëm... vdiq, - tha roja, pas shpinës së tij, duke i ngrënë fjalët nëpër dhëmbë.
- Si? - ia bëri komandanti.
- Ai... shkencëtari... apo shkrimtari, çfarë qe, ai që bisedoi me ju.
- E pastaj?
- Vrau veten, para ndonjë ore.
Komandanti nuk e vështroi rojën. Partizani mori frymë i lehtësuar. Nga tendosja e qafës së komandantit ai u përpoq të kuptonte nëse duhej të fliste akoma diçka për këtë gjë, apo të mos e zinte më ngoje.
Komandanti qëndroi një copë herë pa lëvizur, pastaj, pa u kthyer, tha:
- Mos u sollët keq me të?
- Jo, - tha roja, - aspak.
Tjetri ndenji ashtu për ndonjë minutë, me fytyrë të kthyer nga ajo anë ku duhej të ishte qyteti. Pas pak ai u fut brenda, ndezi një shkrepëse mbi hartën që ishte akoma e hapur mbi tryezë, pa diçka në të, gjersa shkrepësja i përvëloi gishtat, dhe doli prapë. Po gdhinte.
- Domethënë vrau veten. - tha.
- Po, - ia bëri roja. - Aty përtej, në një hendek. Ne kujtuam se...
Roja e preu fjalën, se komandanti kishte ngritur përsëri dylbitë në drejtim të qytetit».[17]
Dhe këtu dalin përsëri motivet poetike për shtërgjet në medi­timin e komandantit partizan që shpreh keqardhje për vdekjen e Adrian Gumës:
«Në gypat e dylbive dilnin aty-këtu maja minaresh, dhe atij i shkoi ndërmend se, po të ishte mëngjesi më i kthjellët, mund të dukeshin mbi to çerdhet e lejlekëve. Ai shkrimtari kishte shkruar diçka për fluturimin e tyre... Pa e ditur as vetë pse, ndoshta nga mendimi i vdekjes së mundshme të shokëve dhe nga këngët dhe balladat e vjetra që kanë gjithmonë ca zogj sipër njerëzve që vdesin, ai vërtiti dylbitë në një rreth të gjerë, gati të furishëm mbi qytet, por xhamat e tyre nuk takuan në asnjë shpend. Iu kujtuan lejlekët që nuk vijnë në qytetet ku ka luftë dhe prej tyre iu kujtua shkrimtari që kishte vrarë veten para dy orësh. Nga larg, ai kishte ardhur që të vdiste aty midis tyre e, megjith­atë, ajo vdekja e tij, megjithëse me plumb, se si ishte tjetër gjë, fare e pangjashme me atë rënie të vërtetë përdhe, kur goja qëllon që të mbushet me baltë dhe nga kjo duket sikur vdekja merr menjë­herë peshën e dheut. Ajo e tij ishte një vdekje tjetër lloj, gjith­sesi abstrakte, diku në qiell midis formave të fluturimit, ah, po, tani iu kujtua, elipset e shtërgjeve, kështu titullohej një libër i tij. Një copë herë komandantit iu kujtuan vijat ku ishin ven­dosur sup më sup batalionet dhe megjithëse kishte jetuar se e kishte hequr mendjen nga vetëvrasja e shkrimtari, tha me vete për të: Ç’vdekje e vetmuar».[18]
Viti 1975, kur u botua romani i Kadare «Nëntori i një krye­qyteti», ishte një vit i vështirë për Lasgush Poradecin, që atë­herë ishte 76 vjeç. Atë vit ishte goditur nga regjimi si pjesëtar i një «grupi komplotist» i afërmi i tij, Piro Gusho. Kjo mund të shërbente fare mirë për arrestimin dhe dënimin me burg të Lasgush Poradecit, edhe pse ai ishte 76 vjeç. Një ipeshkv katolik, gjithashtu poet si Lasgushi, kishte vdekur në burgun e regjimit komunist në moshën 82 vjeç. Lasgush Poradeci ishte i padëshiruar për regjimin komunist dhe ishte mënjanuar krejtë­sisht, duke mos pasur të drejtë që të botonte. Kur doli romani i Kadaresë «Nëntori i një kryeqyteti» ku të gjithë ata që njihnin letërsinë njohën Lasgushin në personazhin e Adrian Gumës, Lasgushi nuk i lexonte romanet e Kadaresë, por atë sigurisht që e vunë në dijeni miqtë e tij të ngushtë për këtë gjë. Lasgushi e ka marrë saktë kumtin e romanit, i cili ishte një ftesë që Kadare po i bënte Enver Hoxhës që të eliminonte Lasgush Poradecin. Kadare në roman praktikisht thotë se Lagush Poradeci duhet të ishte eliminuar që në nëntor 1944, por siç i thonë fjalës më mirë vonë se kurrrë, nuk do të ishte keq që të eliminohej edhe në 1975. Që Lasgushi e ka marrë saktë kumtin e Kadaresë, kjo kuptohet nga një poezi që ka shkruar Lasgushi po në vitin 1975. Në këtë vit Lasgush Poradeci shkruan poezinë «Ekskursion teologjik i Sokratit», që u botua për herë të parë në 1990, në përmbledhjen e veprës, me një volum të Lasgush Poradecit, gjë që regjimi komunist e bëri se donte të jepte përshtypjen e ndry­shimeve. Në këtë poemë, pas të gjitha gjasave të shkruar pasi e kishte mësuar se ishte bërë personazh i romanit «Nëntori i një kryeqyteti», Lasgush Poradeci thotë:
«Kështu me ndërgjegje t’ashpër
Merr vendim gjyqi-xhelat,
I jep kupën e zeherit,
të pamposhturit Sokrat.

Kështu djajtë e bestytnisë,
Kështu breshkat e moçalit,
Vranë filozof Sokratin,
Madhështorin dre të Malit».[19]

Lasgushi e krahason veten me Sokratin që pranoi me stoici­zëm të pijë helmin dhe të mos bëjë kompromis. Kadare ishte sigurisht për Lasgushin një nga «breshkat e moçalit», që i dhanë atij të pijë gotën e helmit (kupën e zeherit). Lasgush Poradeci e përçmonte Kadarenë si poet, dhe në një mënyrë ose në një tjetër Kadaresë i kishin ardhur në vesh konsideratat e Lasgushit për të. Për Lasgushin, mjeshtrin e lirikës, Kadare ishte një vargë­zues propagandistik i prerjes sovjetike. Kadare e urrente Lasgu­shin me një urrejtje të Salierit për Mozartin, se Kadare, pavarë­sisht se u bë prozator dhe shkrojti romane, përsëri kishte si dëshirë të shpirtit që të quhej poeti më i madh shqiptar i gjallë, madje edhe si poet lirik. Këtu Kadare e dinte se kishte rival të përjetshëm, ose më saktë të paarrritshëm atë, Lasgush Porade­cin, që jetonte ende. Prandaj Kadare në vitin 1975 kërkoi ta eli­minonte fizikisht Lasgushin me anë të regjimit. Në vitin 1976 ai botoi vëllimin e tij të fundit me poezi, me titullin «Koha». Nuk është e rastit që vëllimi i fundit me poezi i Kadaresë është shkruar një vit pasi ai botoi romanin, ku praktikisht kërkoi eliminimin fizik të Lasgush Poradecit. Pasi nuk e arriti dot këtë gjë, Kadare hoqi dorë fare nga poezia. Lasgushi jetoi edhe 12 vjet, pas vitit 1976, kur Kadare pushoi praktikisht së qëni poet, dhe vdiq në moshën 88 vjeç, duke mbajtur për pezmin e madh të Kadaresë edhe për 12 vjet kurorën e poetit më të madh të gjallë shqiptar, edhe pse nuk botonte asgjë.
Ismail Kadare ka bërë ndaj Lasgushit, edhe më keq se Enver Hoxha, atë që thotë se bëri Enver Hoxha me Lasgushin:
«Ishte treguar i egër me poetin. Madje edhe më keq: pa guxuar t’ia bënte të keqen haptaz. Ia kishte bërë atë tërthorazi, me ligësi meskine, siç janë shpesh hakmarrjet e nxitura nga smira».[20]
Për atë që Enver Hoxha ndjente për Lasgush Poradecin mund të thuash çdo gjë, por jo se ishte smirë. Smirë për poetin mund të kishte vetëm Kadare, që në këtë rast projekton tek Enver Hoxha atë që ndjente vetë për Lasgushin. Smira e çoi Kadarenë aq larg sa praktikisht t’i kërkonte Enver Hoxhës që të eliminonte fizikisht poetin plak.
Ismail Kadare, pas viteve 1990 është përpjekur të tregojë se ai ka pasur miqësi me Lasgush Poradecin dhe se ky madje i ka dhënë dhe licencën e disidentit. Ismail Kadare në librin e tij për Lasgush Poradecin, me titull «Ikja e shtërgut», për të cilin Kadare pretendon se e ka shkruar në 1986, pra në kohën e dikta­turës dhe se e ka depozituar në një bankë në Francë. Por është krejt e pabe­sueshmeqë këtë gjë ta ketë bërë njeriu që e ka shigjetuar Las­gushin në atë mënyrë, në romanin «Nëntori i një kryeqyteti».
Kadare, duke imituar Enver Hoxhën, i cili e kishte zakon që në kujtimet e veta të sajonte biseda sipas dëshirës së vet me njerëz tashmë të vdekur, rrëfen për këtë bisedë të supozuar mes tij dhe Lasgushit, në kohën e diktaturës komuniste, ku Lasgushi i thotë:
«- Te Homeri është një vend ku dielli zemërohet me Zeusin, nuk e di a të kujtohet, - tha pas pak. - Kështu pra, dielli zemë­rohet me tiranin dhe e di si e kërcënon? Në Ferr do të zbres, do të shndritë veç për të vdekurit! - Ai buzëqeshi më ftohtë se më parë. - Ja pra, ç’kërcënim të gjëmshëm i bëri tiranit dielli. Të lerë vendin e vet në mes të qiellit, me fjalë të tjera të braktisë të gjallët dhe të zbresë atje ku s’ka nevojë për të, tek të vdekurit. Shkurt çdo gjë të bëhet së prapthi, me fjalë të tjera, të vijë fundi i botës, apo­kalipsi... Të tillë kërcënim të tmerrshëm dhe jo naze zonjushash duhet të bëjë poeti.
Ai nuk m’i hiqte sytë e tij të akullt, me plasaritjet e pamë­shirshme midis, kërcënues dhe i pashmangshëm si një ajsberg. Një copë herë të gjatë qëndruam kështu në heshtje, pastaj shtoi: - Me sa kam lexuar prej teje, ti gjithashtu ke filluar të zbresësh tek të vdekurit...
Mora frymë i lehtësuar, si të kisha dëgjuar një dekret fal­jeje».[21]
Me këtë Kadare kërkon të na thotë se unë e kam marrë indulgjencën për ato që kam shkruar në kohën e diktaturës, nga një instancë supreme, siç është poeti Lasgush Poradeci, prandaj ju duhet ta pranoni atë, ndryshe mua aq më bën. Këtu Kadare kërkon të na bëjë të besojmë se Lasgushi paska lexuar romanin «Gjenerali i ushtrisë së vdekur», ku Kadare «zbret tek të vde­kurit». Lasgushi sigurisht që nuk ka lexuar as një faqe të këtij libri, ku siç kam treguar më parë, Kadare zbret tek të vdekurit, me licencën e regjimit, për të përgënjeshtruar një tjetër histori krimi komunist.
Kadare, në romanin «Nëntori i një kryeqyteti» fyen hidhur dhe disa persona të tjerë realë, veç Lasgush Poradecit. Në roman tregohet se si drejtori i Radio Tiranës abuzon me postin duke e detyruar vartësen e tij, spikeren kryesore të radios, që të ketë marrëdhënie seksuale me të, në zyrën e tij. Në roman folësja mediton për këtë gjë ditën e atentatit ndaj perandorit Victor Emmanuele në Tiranë, në momentet kur po përgatitej lajmi për t’u dhënë në radio:
«E pikëlluar me një pikëllim të tillë të durueshëm lehtë, që provokohet nganjëherë te njerëzit fare thjesht, si për shembull nga rënia e shiut në verandë, ajo vështronte kolltukët e rëndë dhe kanapenë, mbi të cilën dy muaj më parë kishte duruar për­qafimet e drejtorit, atë kokë masive, me sy të dergjur më shumë nga pija se nga pasioni, që herë pas here ktheheshin pas, sikur ai të druhej nga tryeza prej druri të zi, nga tablotë... Ndërsa ai fliste në telefon, ajo me duart e lidhura nën gjunjë, mendonte se sa e trishtueshme ishte të duroje mbi lëkurën tënde të puthurat e dikujt, vetëm se ai ishte drejtori yt... Ashtu si në gjithë jetën e tij, në pozat prej patrioti, të martirit të ardhshëm, të eruditit, ai ishte kallp edhe në dashuri».[22]
Atentati ndaj perandorit italian në Tiranë ndodhi në maj 1941, pra i takon që ngjarja të ketë ndodhur në mars 1941. Në atë kohë drejtor i Radio Tiranës ka qenë Gjergj Bubani, një intelektual i njohur dhe publicist patriot, i cili u dënua me burg nga regjimi komunist. Gjergj Bubani ishte babai i shokut të kursit të Ismail Kadare në universitet, Dionis Bubanit. Gjergj Bubani nuk ka pasur aspak reputacionin që i vesh Kadare. Ndërsa me personazhin e spi­keresMirjam Morina, që del si kon­kubinë e drejtorit cënohet një nga dy spikeret e Radio Tiranës së kohës, që kanë qenë të dyja zonja të nderuara, Kaliopi Plasari (Nushi) dhe Evanthi Zoraqi (Ciko).[23]
Në roman ka dhe shumë tjetërsime të tjera të realitetit. Ismail Kadare e bën komandantin e kompanisë partizane që mori ndër­tesën e radios një mësues të greqishtes së vjetër, me mbie­mër qartësisht gjirokastrit «Sinojmeri»:
«Ngaqë para lufte jepte greqishten e vjetër në një shkollë të një qyteti të humbur kufitar, disa nga partizanët, duke përfshirë edhe komisarin, e thërritnin komandantin e njësitit ‘profe­sor’».[24]
Në Shqipëri nuk mësohej greqishtja e vjetër në shkollat e mesme dhe nuk kuptohet përse Kadare e ka thënë këtë gjë. Në realitet, komandant i kompanisë partizane që mori radiosta­cio­nin (kompanisë së dytë të batalionit të dytë të Brigadës I) ka qenë Mane Sevrani, sipas librit të Skifter Këlliçit. Mane Sevrani nuk dinte asnjë fjalë greqisht, as të vjetër as të re, dhe nuk ishte intelektual. Gjithashtu, ndryshe nga ç’thotë Kadare, radiosta­cioni i vetëm shqiptar në atë kohë nuk punonte në nëntor 1944, për shkak se e ndërpreu punën që në 27 tetor 1944. Sipas librit të Skifter Këlliçit, që u referohet dokumenteve, në 17 nëntor 1944 nga Shtabi i Korparmatës I partizane autorizohet Todo Bojdani, teknik, të marrë nën kontroll Radio Tiranën.[25]
Todo Bojdani ishte një teknik me origjinë serbe. Ismail Kadare në roman bën disa falsifikime, që nga emrat e rrugëve, kur thotë:
«Para njëzet e katër orësh njësiti i tyre kishte marrë urdhrin që, gjatë sulmit të Brigadës në bulevardin ‘Musolini’, të push­tonte Radiostacionin».[26]
Bulevardi «Musolini» ishte ajo që sot është Rruga e Kavajës, deri në 1943. Me kapitullimin e Italisë ky emër iu hoq. Ndërtesa e radiostacionit gjendej në një rrugë që lidhte Rrugën e Kavajës me Rrugën e Durrësit («Kont Urani»), disa dhjetëra metra larg Rrugës së Kavajës. Ismail Kadare bën një falsifikim historik, duke e quajtur Rrugën e Kavajës si Bulevardi «Musolini» edhe në nëntor 1944.
Ismail Kadare shkruan për atë që e quan Bulevardi «Muso­lini»:
«Tani për tani kjo ishte e vetmja zonë e qetë e Tiranës. Tho­shin se këtu ishte mbledhur lëmsh, gati për të ikur, gjithë zhgani i borgjezisë, kuislingëve, ish-ministrave».[27]
Por ata iknin nga Rruga e Durrësit. Kadare manipulon qëlli­misht për të bashkuar për qëllim figuracioni letrar, elitën e sho­qërisë së vjetër që po ikën, dhe radiostacionin si zëri i saj, që po merret nga partizanët që përfaqësojnë të renë. Pra, Kadare e ka bërë këtë tjetërsim urbanistik, për të bashkuar, siç thuhet në gjuhën marksiste-leniniste «bazën» (shtresën e pasur që po ikën) dhe «superstrukturën» (radiostacionin) të rendit të vjetër shoqë­ror që po përmbyset.
Kur mbi bazën e romanit të Kadare «Nëntori i një kryeqy­teti», u bë një film, në 1979, një veturë e kohës së paraluftës që u soll në Rrugën e Kavajës, në hyrje të rrugës anësore ku kishte qenë ndërtesa e radiostacionit, u prish dhe mori flakë gjatë xhi­rimit të filmit, dhe si e tillë u përdor në film, për të përshkruar ikjen për të cilën flet Kadare. Por, ajo veturë e djegur u bë simbol i dështimit katastrofik të regjimit që kishte ardhur në fuqi në nëntor 1944, se mbeti në një cep trotuari në atë rrugë kryesore të Tiranës, jo më shumë se disa dhjetëra metra larg sheshit kryesor të qytetit, për shumë vite, duke u larguar vetëm pas rënies së regjimit komunist. Ajo mund të ishte lënë atje fare mirë si monument i inefiçencës së regjimit komunist, e ngritur mbi një platformë betoni. Në fakt, edhe vepra e Kadaresë të ngjan me atë makinë.
Është sigurisht një ironi e madhe që Kadare, i cili në roma­nin e vet «Nëntori i një kryeqyteti» ironizoi dhe fyeu shkrim­tarët e paraluftës, që nuk u pajtuan me komunizmin, në një moment të vështirë të jetës së tyre, atë të ndryshimit të rendit shoqëror, në nëntor 1944, kur erdhi momenti që Shqipëria të ndryshonte rendin shoqëror, në 1990, iku në Paris dy muaj para se kjo gjë të ndodhte. Ismail Kadare, edhe pse e dinte se kjo ngjarje nuk do të ishte gjë tjetër veçse një inskenim i ancient regime megjithatë i kërkoi Ramiz Alisë që ta lejonte të shkonte në Paris, se trembej se, edhe në kushtet e një situate që vinte nga zbatimi i një skenari, do të kishte shpërthime në të cilat ai mund të rrezikohej për ato që kishte bërë. Dhe nuk do të rrezikohej nga njerëzit e regjimit, por nga ato që kishte bërë si propagandist dhe letrarizues i legjendave të regjimit, si ajo e alibisë së vrasjes së intelektualëve në 1944. Kadare u kthye vetëm kur u sigurua se askush nuk do t’i ndëshkonte «breshkat e moçalit» që ndihmuan që «Sokratëve», t’u jepet «kupa e hel­mit». Kur Kadare zbriti në aeroport në maj 1992, atje duhet të ketë qenë mes atyre që dolën ta presin fantazma qesëndisëse e Adrian Gumës, që i thoshte: Unë megjithatë qëndrova këtu, ndërsa ti ike! Ti ike sepse je një nga vrasësit e mi!
Pas kësaj Kadare filloi të ndërtojë legjendën e martirizimit të vet në kohën e diktaturës, si procesi i kundërt dhe karikaturë e asaj që bën në roman, duke përgënjeshtruar sakrifikimin e Adrian Gumës. Kjo ishte fyerja tjetër e madhe që Kadare u bëri njerëzve që përfaqësohen te personazhi i Adrian Gumës, pas asaj të vitit 1975. E megjithatë fantazma e Adrian Gumës e përndjek Kada­renë në rrugët e Tiranës, ku ai e ka bërë të ecë në roman.


[1] Ismail Kadare: «Nëntori i një kryeqyteti», «Naim Frashëri», Tiranë, 1975, fq. 89- 91.
[2] Po aty, f. 9.

[3] «Politika antikombëtare e Enver Hoxhës», Plenumi II i Beratit, doku­mente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, Tiranë, 1995, f. 87.

[4] Ismail Kadare: «Nëntori i një kryeqyteti», «Naim Frashëri», Tiranë, 1975, fq. 103-104.

[5] Ismail Kadare: «Ikja e shtërgut», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 80.

[6] Ismail Kadare: «Nëntori i një kryeqyteti», «Naim Frashëri», Tiranë, 1975, f. 31.
[7] Ismail Kadare: «Ikja e shtërgut», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 46.

[8] Ismail Kadare: «Nëntori i një kryeqyteti», «Naim Frashëri», Tiranë, 1975, f. 92.

[9] Po aty, f. 30.
[10] Po aty.
[11] Po aty, fq. 32-33.

[12] Po aty, f. 41.
[13] Po aty, f. 43.
[14] Po aty, f. 44.

[15] Po aty, f. 48.

[16] Po aty, f. 51-52.

[17] Po aty, fq. 52-53.

[18] Po aty, fq. 53-55.

[19] Lasgush Poradeci: VEPRA, «Naim Frashëri», Tiranë, 1990, f. 322.

[20] Ismail Kadare: «Ikja e shtërgut», «Onufri», Tiranë, 2003, f. 75
.
[21] Po aty, fq. 75-76.
[22] Ismail Kadare: «Nëntori i një kryeqyteti», «Naim Frashëri», Tiranë, 1975, fq. 163-165.

[23] Shih: Skifter Këlliçi, «Historia e Radio-Televizionit Shqiptar, 1938-1990», «TPE», Tiranë, 2003, f. 22.
[24] Ismail Kadare: «Nëntori i një kryeqyteti», «Naim Frashëri», Tiranë, 1975, f. 23.
[25] Skifter Këlliçi: «Historia e Radio-Televizionit Shqiptar, 1938-1990», «TPE», Tiranë, 2003, f. 22.

[26] Ismail Kadare: «Nëntori i një kryeqyteti», «Naim Frashëri», Tiranë, 1975, f. 7.
[27] Po aty, f. 16.