DIPTIKU «VAJZA E AGAMEMNONIT» E «PASARDHËSI» DHE TABLOJA SINOPTIKE E ENVER HOXHËS PËR «KOMPLOTIN» E MEHMET SHEHUT






Në vitin 2003, Ismail Kadare botoi dy romane, «Vajza e Agamemnonit» dhe «Pasardhësi», që i quajti diptik. Kadare ve këtë shënim në fillim të secilit prej këtyre romaneve: «Ngjarjet e përshkruara në diptikun ‘Vajza e Agamemnonit’ dhe ‘Pasar­dhësi’, janë pjesë e kujtimeve të gjithhershme të njerëzimit, të rishfaqura, siç ndodh shpesh, në epokën tonë. Si rrjedhojë e kësaj, shëmbëllimi i tyre me pamje dhe njerëz të kohës, është i pashmangshëm».[1]
Por në këto romane kuptohet lehtë se rrëfimi pasqyron histo­rinë e vdekjes, me vrasje apo vetëvrasje, të nr. 2 të regjimit komu­­nist pas Enver Hoxhës, kryeministrit Mehmet Shehu, si dhe his­torinë tragjike të familjes së tij. Është shumë interesante se, edhe pse Kadare në kohën e komunizmit ka shkruar romane ku personazhet janë persona realë, liderë komunistë, në këto dy romane të shkruar në periudhën paskomuniste, ai nuk i paraqet personat e kësaj historie me emrat realë, por me emra të shpi­kur, letrarë. Kadare ka dhënë versionin e vet të vdekjes së Mehmet Shehut, në parathënien e gjatë të librit të djalit të këtij të fundit, Bashkim Shehut «Vjeshta e ankthit» (1994), ku sillet dëshmia e Bashkim Shehut për atë që ndodhi në vjeshtën e vitit 1981 në shtëpinë e Mehmet Shehut, deri tek vdekja e këtij të fundit dhe ngjarjet që pasuan vdekjen. Në këtë parathënie, Kadare thotë se ai praktikisht bënte biseda disidente me djalin e vicediktatorit:
«Pas pyetjes sime të drejtpërdrejtë se ç’do të bëhej në Shqi­përi kur babai i tij të merrte pushtetin (M. Shehu ishte pasardhës i shpallur i Enver Hoxhës), kur ai m’u përgjegj ‘nuk do të ndryshojë asgjë, madje mund të bëhet më keq’ e kuptova se kundërshtimi i tij ndaj regjimit nuk ishte as pozë e as i shtyrë nga xhelozia e oborrit... Të folurit kundër regjimit me djalin e diktatorit të dytë të Shqipërisë, më jepte jo vetëm kënaqësinë që jep sfidimi i së keqes mu në qendrën e saj, por ishte njëkohë­sisht një ripërtëritje e shpresës se kjo diktaturë s’qe aq monolite sa ç’dukej».[2]
Kështu Kadare del disident dhe çfarë disidenti, disident në strofullën e luanëve! Më tutje në këtë parathënie, Kadare thotë:
«Në librin ‘Pesha e kryqit’ të cilin e kam shkruar kur Bash­kim Shehu ndodhej ende në burg, kam përmendur takimet e fundit me të gjatë asaj vjeshte. Të njëjtat episode lexuesi do t’i gjejë në ‘Vjeshtën e ankthit’, të shkruara nga një tjetër optikë, nga pikëshikimi i atij që u rrëzua në humnerë».[3]
Eh, libri «Pesha e kryqit» nuk u botua kurrë në Shqipëri, por vetëm në Paris, në 1991, ashtu si edhe libri tjetër i Kadaresë «Nga një dhjetor në tjetrin».
Pse pra njeriu që kishte bërë biseda disidente me djalin e Mehmet Shehut, për ato që po i ndodhnin Mehmet Shehut dhe familjes së tij në vjeshtën e ankthshme të vitit 1981, kur erdhi puna të shkruante romane për ngjarjet e vjeshtës 1981, nuk parapëlqeu t’i shkruante me emra realë si «Dimri i madh»?
Për arsye letrare? Jo. Një nga arsyet që ai e bën këtë është se kërkon t’i paraqesë gjërat sikur Mehmet Shehun e vrau gruaja e vet, siç do të tregoj më tutje. Titulli i romanit të parë të diptikut («Vajza e Agamemnonit») është një parabolë me një histori të Luftës së Trojës. Kadare thotë se komandanti i ushtrisë greke, Agamemnoni, e bëri theror vajzën e vet, Efigjeninë, për të mun­dur të kërkonte nga gjithë ushtria sakrificën supreme: «Përde­risa shefi i madh, Agamemnoni, kishte flijuar vajzën e vet, asnjë mëshirë s’do të kishte për askënd. Sëpata qe përgjakur tash­më».[4]
Në këtë sens, pjesa e dytë e diptikut, romani «Pasardhësi», mund të quhet edhe «Gruaja e Agamemnonit», në vazhdim të titullit të pjesës së parë të diptikut, duke iu referuar mitit ku Agamemnoni u vra nga gruaja e tij, Klitemnestra.
Romani i parë i diptikut sikur nuk është i lidhur organikisht me të dytin. Në romanin e parë të diptikut, «Vajza e Agamem­nonit», tregohet se si Suzana, vajza e udhëheqësit nr. 2 të ven­dit, atij që vinte pas diktatorit, paraqet në sjelljen e saj ato që për regjimin ishin shfaqje të huaja për moralin komunist, mban veshje, parfume dhe bizhuteri luksoze, perëndimore, si dhe dashuron një djalë të fejuar. Në libër drama fillon kur diktatori e qorton vicediktatorin, babain e Suzanës, për sjelljen e së bijës, duke i kërkuar që t’i thotë së bijës që të ndryshojë sjellje. Dhe nr. 2 i regjimit, i cili kishte dobësi për të bijën, ia kërkon këtë asaj edhe si favor personal, pra që të proletarizohet në veshje e sjellje dhe të ndahet nga i dashuri i saj. Më pas, Suzana del në romanin «Pasardhësi», si ajo që do të bënte fejesën fatale, që do të bëhej shkaku, apo preteksti i fatkeqësisë së të atit dhe krejt familjes. Është e qartë se këtu kemi historinë e përmbysur të djalit të kryeministrit Mehmet Shehu, i cili në roman paraqitet si vajzë, ose më saktë dy histori të ndryshme dashurie të tij. Ç’trill i çuditshëm ky i Kadaresë që mikun e tij ta bëjë në roman vajzë?!
Mes dy romaneve ka një inkoherencë të madhe se, në roma­nin e parë të diptikut, vicediktatori, i quajtur Pasardhësi, paraqi­tet si një njeri i butë, të paaftë për të derdhur gjak, të cilit dik­tatori i kërkon një provë force për ta bërë pasardhësin e vet, ndërsa në romanin e dytë të diptikut, vicediktatori, Pasardhësi, do të na paraqitet sikur ka qenë më i eger se vetë diktatori. Në romanin «Vajza e Agamemnonit» i dashuri i Suzanës mediton kështu për kërkesën që diktatorit i bëri zëvendësit të tij:
«Ishte thjesht një përllogaritje cinike tiranësh. E ti, unë e di ç’kërkon ti, me anë të Suzanës... Sëpatën s’do ta spërkatësh me gjak, e di, por edhe ashtu ndoshta, e bardhë, ajo mund të godasë hatashëm.
E kisha gjetur ndoshta qysh më parë, tinëzisht i isha afruar të vërtetës, qysh pas çastit që Suzana më foli për vendimin e saj. Ajo që kërkonte babai i saj, dukej më pak, por ishte më shumë. Megjithëse pa gjak, ishte e denjë të krahasohej me flijimin më të përgjakshëm... Sepse tharjen e mëtejshme të jetës parandillte Suzana. Të asaj jete që, si kaktusi në shkretëtirë, me vështirësi e kishte ruajtur lëngun e fundit.
Ti paske qenë helm e murtajë bashkë, klitha me vete. Ishte vazhdimi i fushatave që ndollën letra nga Lushnja, minerali dhe harta. Dhe jo vetëm që asnjë Kalkant s’e kishte dhënë këshillën, por as babai i Suzanës s’e kishte men­duar vetë. Tjetërkush, Udhë­heqësi i madh, ai që po e caktonte atë si pasardhës, ia kishte kër­kuar me siguri. (Është zemërbutë babai, më kishte thënë Suzana, s’është i lindur për egërsi).
E kishte kuptuar, ndoshta, Udhëheqësi natyrën e tij dhe në njëfarë mënyre, ia kishte thënë: zgjidh njërën nga të dy sëpatat. Në qoftë se s’je i aftë të përdorësh të përgjakurën, merr të bar­dhën! Dhe qysh tani, sa jam unë gjallë, në sytë e mi, bëj pro­vën!Godit! E bardha, po të dish ta përdorësh, është ndoshta më e tmerrshme se tjetra.
Ja pra, këtë sëpatë të dytë paralajmë­ronte Suzana. I lodhur siç qe prej tjetrës, së përgjakurës, vendi po i nënshtrohej një goditjeje të re».[5]
Por dihet se Mehmet Shehu, personi real që është pas perso­nazhit të Pasardhësit, ishte njeri i egër dhe kështu paraqitet në pjesën e dytë të diptikut, tek «Pasardhësi». Atëherë përse ka ndodhur kjo inkoherencë. Pas të gjitha gjasave, Ismail Kadare ka pasur një dilemë se si duhet t’i rrëfente ngjarjet në pjesën e dytë të diptikut. Pjesa e parë e diptikut na zbulon se Kadare ka pasur një projekt të parë për romanin «Pasardhësi», ku gjërat paraqiten sikur vicediktatori kishte një agjendë liberalizimi të regjimit, hapjeje ndaj Perëndimit, në të cilën do ta përdorte dhe fejesën e së bijës, çka ishte dhe akuza që i bëri Enver Hoxha Meh­met Shehut. Por pastaj Kadare ka hequr dorë nga ky variant i romanit. Duket se me pjesën e parë të romanit Kadare i ka ofruar një pakt misterioz të vesë së diktatorit, Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë, që ata t’i jepnin kushedi se çfarë gjërash që atij i interesojnë, ndoshta dokumente të «Kthinës së lakuriqit» dhe ai do ta shkruante romanin praktikisht sipas «Tablosë sinop­tike» të Enver Hoxhës për komplotin e Mehmet Shehut. Por marrë­veshja nuk është arritur dot, për arsye që nuk i dimë, kështu që pjesa e dytë e diptikut u shkrua ndryshe nga ç’të le të kuptosh e para.
Në romanin «Pasardhësi» tregohet për vdekjen e nr. 2 të regji­mit, babait të Suzanës. Ato që përshkruhen në roman shëmbë­llejnë shumë me vdekjen enigmatike të kryeministrit Mehmet Shehu dhe persekutimin e familjes së tij. Nëse romani «Vajza e Agamemnonit» i ngjan një romani sentimental, romani «Pasar­dhësi» i ngjan një romani policor. Romani «Pasardhësi» fillon kështu:
«Pasardhësi u gjet i vrarë në dhomën e tij të gjumit, në të gdhirë të 14 dhjetorit. Në mesditë, TV shqiptar e dha lajmin fare shkurt. ‘Në natën midis 13 dhe 14 dhjetorit, Pasardhësi kishte vrarë veten me armë zjarri, si rrjedhojë e një krize ner­vash’».[6]
Pastaj, sipas stereotipit të romaneve policore, kalohet fill tek shqyrtimi i vdekjes misterioze:
«Nga lagjia e mbyllur, ajo që quhej ‘Bllok’, vinin lajme të tjera. Ndonëse nata kishte qenë me shi dhe me erë, ishte vënë re një lëvizje makinash e pazakontë. Më e çuditshmja ishte se, aty nga mesnata, ndoshta pak më pas, një hije ishte parë të hynte në shtëpinë e të ndjerit. Një zyrtar i lartë, tepër i lartë... po për këtë s’duhej folur në asnjë rast... kurrsesi... një zyrtar pra... tepër i lartë, kishte hyrë... për të dalë më pas...».[7]
Tek parathënia e librit të Bashkim Shehut, Kadare shkruan kështu për këtë çështje: «Ka dy fakte ndërkaq tepër të sakta. E para: qysh të nesërmen e vdekjes u përhap fjala (me sa duket nga vetë policia e fshehtë), se natën e 17 dhjetorit është parë ‘hija e një të madhi - anëtar i Byrosë Politike’ që ka hyrë në shtë­­pinë e kryeministrit. Që kjo thashetheme nuk quhej e dëmshme është dëshmia më e sigurt se ajo ishte një ‘thashethem zyrtar’. E dyta: në mars të vitit 1982, pra tre muaj pas dramës, një ekip mjekësh legalë u thirr nga ministri i Brendshëm H. Isai në shtëpinë e braktisur për të dhënë një mendim se ç’mund të ketë ndodhur dhe përse nuk është bërë autopsia e kufomës. Njëri nga mjekët pjesëmarrës më ka treguar revoltimin e ministrit të Brendshëm për skandalin e mosbërjes së autopsisë dhe hedhjen hapur të dyshimit se këtu diçka fshihej».[8]
Më tutje, po në parathënien e librit të Bashkim Sehut, Kadare shkruan:
«Këto dy fakte dëshmojnë qartë se Enver Hoxha qysh në fillim kishte disa skenarë rezervë për shpjegimin e vdekjes së pasardhësit të vet. Në rast se opinioni zyrtar dhe ai botëror pra­non variantin zyrtar shqiptar të vetëvrasjes, ai do të mbetej tek ky variant. Në rast se dyshimi do të bëhej zotërues, do të vihej në lëvizje varianti rezervë i vrasjes. Për këtë ishin marrë masat. E para: nuk u fol për hijen e ‘një anëtari të Byrosë Politike që hyri në mesnatë te Shehajt’? E dyta: a nuk kërkoi vetë shoku Enver shpjegime përse nuk u bë autopsia? Përfundimi: Kryemi­nistri shqiptar nuk ka vrarë veten, por e vrau një nga komplo­tistët (‘hija’), për të mbuluar gjurmët e komplotit. Pra thelbi mbe­tej (tradhtia e tij), lëvizte vetëm lëvozhga (mënyra e elemi­nimit). Pak kohë më pas, mjeku legalist që merrte pjesë në anketën e autopsisë më ka thënë se, për habinë e tij të madhe, ‘ajo punë u la’. Me sa dukej diktatori ishte kthyer prapë te ske­nari fillestar. Sidoqoftë rezervën e ‘hijes’ e la. Megjithëse trupi i kryeministrit pasi ishte çvarrosur disa netë më pas, ishte shka­tërruar krejt, dyshimi se mund të ngrihej ndonjë ditë çështja e autopsisë, nuk e linte të qetë Enver Hoxhën. Si arkitektët e pira­midave që një pjesë të dijes e harxhonin për të gjetur mekaniz­min mbyllës, ashtu dhe diktatori shqiptar i kushtonte një vëmendje të madhe mbylljes të të gjitha portave të mund­shme drejt së vërtetës. Pasi hapi pëshpërimën se ‘hija’ e natës së 17 dhjetorit ishte ministri Kadri Hazbiu, disa muaj më pas e arres­toi edhe atë si bashkëkomplotist. Përpara se ta dëno­nte me vdekje, shpejtoi t’i bëjë një gjilpërë në gjuhë për t’i hequr mundë­sinë e të folurit. Pas pushkatimit të ‘hijes’ diktatori duhet ta ketë ndjerë veten disi më të qetë. Tani çfardolloj ver­sio­nesh të ngri­heshin për vdekjen e Shehut, vetëvrasje ose vra­sje, ai nuk rrezi­kohej më. Gjithçka do të binte mbi ‘hijen’».[9]
Siç e shikoni, Kadare, në vitin 1994, e ka paraqitur qartë ver­sio­­nin e tij për ngjarjen. Për Ismail Kadare Mehmet Shehu është vrarë me urdhër të Enver Hoxhës dhe vrasjen e ka bërë Kadri Haz­biu. Pra, do të ishte gjëja më e natyrshme që Kadare të shkruante një roman ku personazhet të ishin emra realë, dhe ngjarjet të ndodhnin siç thuhet tek parathënia e librit të Bashkim Shehut, shkruar nga Kadare.
Pastaj, në romanin e Kadaresë ngjarjet zhvendosen në zyrat për Shqipërinë të analistëve të shërbimeve sekrete të huaja:
«Dosjet e Shqipërisë kishin zënë pluhur. Nuk ishte hera e parë që në qendrat botërore të zbulimit, vihej re një gjë e tillë...
Në atë dhjetor të ftohtë të vdekjes së Pasardhësit ishte hera e tretë që në dosjet e Shqipërisë, pluhuri po shkundej. Bashkë me të, qortimet e eprorëve për vartësit ishin shtuar... Na duhen, më në fund, analiza serioze për këtë vend. Priten turbullira në Ballkan. Kryengritja në Shqipërinë verilindore, atë që disa e quanin Shqipëri e jashtme, të tjerët Kosovë, sapo ishte shtypur. Kishte, apo nuk kishte lidhje kjo me ngjarjen e fundit në Shqi­përi?... Ishte një zyrë zbulimi përtej oqeanit, që kishte pikasur e para se, jo vetëm rrjeti i spiunëve në Shqipëri ishte krejt i vjetë­ruar, por një pjesë e tyre, pasi kishin humbur sytë nga pleqëria, kishin kaluar në anën e Sigurimit shqiptar. Kështu shpjegohej, me sa dukej, që ditën e nesërme të vdekjes së Pasardhësit, kumtet nga Shqipëria ishin krejtësisht çoroditëse».[10]
Edhe në realitet kështu ka ndodhur. Atëherë vdekja miste­rioze e kryeministrit shqiptar, u komentua e lidhur me ngjarjet në Kosovë, në të njëjtin vit, 1981. Nga këto që shkruan Kadare më lart të krijon përshtypjen se në roman do të trajtohet në mënyrë shteruese lidhja mes vdekjes misterioze të vicediktatorit shqiptar dhe ngjarjeve në Kosovë, në atë vit. Kjo të duket edhe më e besueshme kur Kadare shkruan tek «Pasardhësi»:
 
«Ana­listët digjeshin nga dëshira për të shtuar fjalët ‘një lajthitje e zakonshme shqiptare’, por, me keqardhje, hiqnin dorë prej tyre, për t’u kthyer te hamendja e dytë, ajo që e kërkonte burimin e gjithçkaje, te një ngjarje e afërt: trazirat e Kosovës.
 
Gjithë atë vit ishin bërë profeci ogurzeza. Kosova, ajo do të ishte tërmeti, stuhia që po afrohej, tmerri i ardhshëm i Ballkanit. Ishte e logjikshme që ai rebelim të kërkonte koka kudo, e sido­mos, në Shqipëri. Po në ç’mënyrë, koka e Pasardhësit mund të lidhej me të? Pëshpërimat ishin të mjegullta. Jugosllavët, pasi kishin hedhur të parët dyshimin se kishte qenë vrasje, e jo vetëvrasje, si të penduar që kishin folur, tani heshtnin. S’dinin vërtet, apo bënin sikur s’dinin?»[11]
 
Këtu Kadare bën praktikisht një falsifikim, duke mos e spe­ci­fikuar se cilët jugosllavë hodhën dyshimin për vrasje. Vetë Enver Hoxha, në të famshmen tablo sinoptike, saktëson se këtë gjë e bëri një gazetë e Zagrebit, pra kroatët, jo serbët. Kuptohet se kroa­tët, armiqtë e serbëve, ishin të parët që do të dyshonin se vdekja misterioze e kryeministrit shqiptar ishte një vrasje e kryer nga Enver Hoxha edhe në interes të serbëve. Ismail Kadare në para­thënien e librit të Bashkim Shehut «Vjeshta e ankthit» shkruan:
 
«Ndërsa ka mbetur e fshehtë ajo që ka ndodhur në dhjetor të vitit 1981, po aq të pazbuluara kanë mbetur shkaqet e vërteta të zhdukjes së Kryeministrit shqiptar. Zyrtarisht ai u akuzua si agjent, në radhë të parë i jugosllavëve, pastaj i gjithë agjentu­rave të tjera të mundshme. Kuptohet që këtë akuzë nuk e mori askush seriozisht, as në Shqipëri as në botë.
 
Që ka patur një arsye të thellë për vrasjen e tij, kjo është jashtë çdo dyshimi. Sado pasionant të ishte në krimet e tij, dik­tatori shqiptar ishte aq inteligjent për të kuptuar se në kushtet e izolimit të plotë të vendit më 1981, shpallja si tradhtar e njeriut të dytë të vendit, do ta destabilizonte rëndë Shqipërinë dhe, ç’është kryesorja, do të shkurajonte gjithë kombin shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve, çka ndodhi në të vërtetë. Tradhtia e kryeministrit dhe gati e gjysmës së qeverisë u përjetua veç të tjerash si një turp kombëtar».[12]
Në fakt, është e kundërta e asaj që thotë Kadare. Në kushtet e izolimit të plotë të vendit, dhe të përkryerjes së diktaturës, vetëm destabilizim nuk mund të ndodhte pas vrasjes së Mehmet She­hut, siç edhe nuk ndodhi. Shkurajim, sigurisht që do të ndo­dhte, por jo i llojit që thotë Kadare, dhe pas të gjitha gjasave, Enver Hoxha nuk i druhej shkurajimit të përgjithshëm të shqip­tarëve, brenda dhe jashtë kufijve, por ky ishte një nga qëllimet që kër­konte të arrinte me vrasjen e Mehmet Shehut, siç do të tregoj më tutje.
Ismail Kadare, në parathënien e librit të Bashkim Shehut thotë se Enver Hoxha duhet të ketë qenë në dilemë, nëse duhej ta eliminonte ose jo Mehmet Shehun:
«Mirëpo diktatori kishte arsye të forta për të hezituar. I obse­duar nga meraku se kush do të vazhdonte ta mbante Shqi­pë­rinë nën një dorë të hekurt pas vdekjes së tij, ai e dinte se pasardhës më të sigurt se M. Shehu as që mund të ëndërronte. Me autori­tet të padiskutueshëm, besnik, i pakomprometue­shëm, qeveri­tar i aftë (me shkollë amerikane) dhe kryesorja i për­zier në të gjitha krimet e diktaturës, ai dukej i pazëvendësue­shëm nga as­kush. Xhe­lozia dhe sidomos gruaja e tij, mund ta shtynin dikta­torin të anonte nga i dobëti, i zbehti dhe modesti Ramiz Alia, por arsyeja shtetërore do t’i diktonte gjithmonë të kundër­tën. Kështu që xhe­lo­zia, sado e fortë të ishte, s’ishte e mjaftue­shme për ta shtyrë në këtë vrasje të bujshme. Duhej një shkak tjetër që balanca të ano­nte nga vdekja. Dhe këtë shkak e solli viti i keq për kombin shqip­tar: masakra serbe kundër shqiptarëve më 1981 në Kosovë».[13]
Këtu nuk mund të ketë patur dilemë për Enver Hoxhën, se ai e kishte të qartë se makineria e diktaturës ishte përkryer aq shumë, saqë ajo funksiononte edhe pa u drejtuar nga një lider i fortë, siç e tregoi koha, kur pas vdekjes së Enver Hoxhës, dyshjaHoxha-Shehu u zëvendësua nga dyshja Alia-Çarçani, që në çdo pikëpamje ishte shumë më poshtë së parës. Regjimi komunist në Shqipëri nuk u rrëzua për shkak të paaftësisë së dyshes Alia-Çarçani për të kontrolluar makinerinë e diktaturës, por për shkak të ndryshimeve globale, të cilat nuk mund t’i përballonte as dyshja Hoxha-Shehu. Prandaj, Enver Hoxha kishte më shumë arsye të anonte nga Ramiz Alia, si për arsye të brendshme dhe të jashtme, të cilat do t’i shpjegoj me hollësi më tutje. Ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, nuk influencuan tek Enver Hoxha që ky të ndante dilemën e vet «Shehu apo Alia», por influencuan vetëm në mënyrën sesi do ta justifikonte Enver Hoxha eliminimin e Mehmet Shehut, dhe se si do ta përdorte këtë eliminim në rrafsh ndërkombëtar, siç do të tregoj më tutje.
Ajo që ndodhi mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në 1981 nuk mund të shpjegohet pa konsideruar marrëdhënien spe­ciale mes të dyve. Nuk është gjë e rastit që Enver Hoxha ishte me siguri i vetmi diktator komunist, që e mbante edhe nr. 2 të fortë, madje më të fortë se veten, kur diktatorët nuk e parapël­qenin këtë gjë. Kjo nuk ishte bërë me vullnetin e Enver Hoxhës. Kur Bashkimi Sovjetik e lëshoi Shqipërinë në 1961, pas një marrë­veshjeje me SHBA, ai ishte i interesuar që Shqi­përia të mbetej komuniste. Prandaj në udhëheqje duhet të kishte dy liderë të fortë, që balanconin njëri-tjetrin. Kur po afrohej vdekja e Enver Hoxhës, kjo formulë ndryshoi, se kur Mehmet Shehu të zinte vendin e Enver Hoxhës, nuk kishte një lider të fortë që ta kundër­balanconte. Atëherë mbetej që të ndryshohej formula dhe të kalohej në dy liderë të dobët, që do të kundër­balancoheshin nga baza konservatore e partisë.
Ismail Kadare tek parathënia e librit të Bashkim Shehut, shkruan kështu për qëndrimin e regjimit komunist shqiptar ndaj ngjarjeve në Kosovë, në pranverën e vitit 1981:
«Heshtja që u mbajt ndaj saj është lëshimi i parë që iu bë krimit. Por ndërsa heshtja e botës ishte e turpshme, heshtja për një javë rresht e Shqipërisë dukej e pashpjegueshme. Vendi që ndodhej në një konflikt mortor prej gati një çerek shekulli me Jugosllavinë, hesht kur kjo e fundit masakron kombin shqip­tar».[14]
Ajo që i shpëton Kadaresë është se Shqipëria e Enver Hoxhës nuk ishte në konflikti me Jugosllavinë për çështje etnike, por për çështje ideologjike. Enver Hoxha, sipas edhe titullit të librit të vet për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave («Titistët»), qartë­sisht e bënte kritikën nga pikëpamja e stalinistit. Pra, ky libër i Enver Hoxhës mund të mbante fare mirë titullin «Ne stalinistët kundër titistëve». Edhe reagimi i Tiranës për ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, i cili nuk ishte në linjë shtetërore, por në linjë media­tike partiake, kishte ngjyrim ideologjik. Heshtja prej një jave për të cilën flet Kadare, nga data 1 prill deri në 8 prill 1981, u thye nga një artikull-editorial i gazetës «Zëri i Popullit», organ i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, i cili u pasua me disa të tjerë. Por nuk pati reagim zyrtar, qoftë në linjë partie, qoftë në linjë shtetërore. Nuk reaguan as Komiteti Qen­dror i PPSH, as Enver Hoxha si sekretar i parë i tij, as Byroja Politike, as qeveria, as Presidiumi i Kuvendit Popullor (kryesia kolektive e shtetit), as Kuvendi Popullor (parlamenti), as Minis­tria e Jashtme. Reagimi ishte vetëm mediatik.
Ismail Kadare, më tutje në parathënien e librit të Bashkim She­hut e shpjegon kështu misterin e heshtjes:
«Kjo nuk është rastësi. Ajo lidhej me një tjetër mister: atë të marrë­dhënieve shqiptaro-jugosllave. Megjithë rrufetë që lësho­nin njëri kundër tjetrit, po të hetoje me kujdes do të vëreje një fije që lidhte të dy vendet. Në ishujt Brione të Jugosllavisë, në kasafortat që ende s’janë hapur është ndryrë kyçi i së fshehtës. Atje janë të depozituara dosjet ku ndodhen materiale kompro­metuese kundër gjithë udhëheqjes komuniste shqiptare. Që nga viti 1941 gjer më 1948 ato dosje janë mbushur plot. Atje duhet të ketë letra ku ata denoncojnë njëri-tjetrin, intriga, pohime, rrë­fime e dreqi e di se çfarë. Për komunistët shqiptarë, si për komu­nistëte gjithë asaj kohe, atdheu i vërtetë ishte Bashkimi Sovje­tik, dhe Kominterni, kështu që dukej e natyrshme dhe krejt e moralshme rrëfimi përpara tyre. Mirëpo për shqiptarët, Komin­ternin dhe Bashkimin Sovjetik i përfaqësonte Jugoslla­via. Kur Enver Hoxha me lehtësinë më të madhe i akuzon bashkëpunë­torët e vet si agjentë të Jugosllavisë, është ndoshta një nga çastet e rralla kur nuk gënjen. Në të vërtetë, në një mënyrë a një tjetër, ata ashtu ishin, agjentë të jugosllavëve (Kominternit). E vetmja pasaktësi e Hoxhës në këtë rast është se në krye të listës mungon emri i atij vetë. Kështu pra, për vite me radhë jugoslla­vët lozin me shantazhin. Ata ia kanë bërë të qartë Enver Hoxhës: ti mund të na shash sa të duash, të na quash agjentë të imper­ializmit etj., etj., veç mos na ngacmo për një gjë, për Kosovën! Përndryshe ne do të hapim dosjet!
Enver Hoxha e ka pranuar paktin. Ai e respekton atë. Në Shqipëri jo vetëm nuk flitet për Kosovën, por ka raste që dëno­hen njerëz që guxojnë të ngrenë zërin për krimet serbe».[15]
Ismail Kadare e shpjegon heshtjen e regjimit komunist shqip­tar, si heshtje për shkak të shantazhit, duke i paraqitur gjërat sikur Enver Hoxhës ia donte zemra si shqiptar që të reagonte, por nuk e bënte dot këtë gjë, se jugosllavët do ta shkatërronin me anë të dokumenteve që do të nxirrnin në dritë. Kështu del se Enver Hoxha do të donte që të reagonte për Kosovën, por nuk e bënte dot këtë gjë se jugosllavët do ta shkatërronin, me doku­mentet që do t’i nxirrnin në dritë. Sikur të ishte kështu, Enver Hoxha do të kishte qenë gjysmë i shfajësuar, por ja që e vërteta ishte ndryshe, siç do ta tregoj më tutje. Enver Hoxha nuk mund t’i trembej shantazhit se, fakti që ai kishte qenë agjent i jugo­sllavëve, si dhe i sovjetikëve, në një farë mënyre dukej qartë, mjaft t’i lexoje në mënyrën e duhur vetë botimet e Enver Hoxhës, ku ai rreket të shfajësojë vetveten për ato që kanë ndo­dhur në të shkuarën në raport me jugosllavët, sovjetikët, kinezët etj. Enver Hoxhës nuk mund t’i bëhej shantazh me dokumente sekrete, ato mund t’i shkaktonin vetëm bezdi. Enver Hoxha do të thoshte se ato ishin sajuar nga shërbimet sekrete dhe me kaq do ta mbyllte çështjen, duke e konsideruar si poshtërsinë e radhës të titistëve. Enver Hoxhës jugosllavët mund t’i bënin shantazh me dokumente sekrete vetëm në marrëdhëniet mes tij dhe liderëve të tjerë në Shqipëri, duke e futur në konflikt me ta. Por, në 1981 Enver Hoxha gjendej në një pozitë të tillë pushteti absolut, që e bënte këtë gjë të pamundur. Madje, Enver Hoxha ishte në një pozitë të tillë, kur nuk mund t’i bëhej shantazh, që nga viti 1948, kur eliminoi Koçi Xoxen. Jugosllavët e dinin këtë gjë, prandaj nuk nxorën dokumente sekrete të bujshme. Prandaj, teoria e shantazhit jugosllav ndaj Enver Hoxhës, për të influen­cuar qëndrimin e tij për Kosovën, shndërrohet praktikisht në alibi për Enver Hoxhën.
Më tutje, Kadare shkruan në parathënien e librit të Bashkim Shehut, duke shtjelluar teorinë e vet të shantazhit:
«Mirëpo masa­kra e pranverës 1981 e kthen çdo gjë përmbys. Shqipëria vihet në pozitë të vështirë. Ajo që quhet java e heshtjes është në të vërtetë java e pazarllëkut. Në atë javë është përtëritur pakti. Secila palë i ka kërkuar tjetrës diçka. Dihet çka ka kërkuar tirani shqiptar: mos të hapen dosjet!
Për të treguar se janë seriozë në shantazhin e tyre, jugoslla­vët kanë botuar ndërkaq një copëz, vetëm një copëz nga dosja sekrete: letrën e dikurshme të njërit prej udhëheqësve shqiptarë, Nako Spirut ku denoncon te Kominterni Enver Hoxhën. Dikta­tori është tërbuar, pa dyshim nga pabesia, por më shumë se zemërim ai ka tmerr».[16]
 
Në fakt nuk ka pasur asnjë marrëveshje të tillë se serbët e di­nin shumë mirë se Enver Hoxha nuk kishte asnjë qëllim të nxiste trazira në Kosovë. Tekefundit trazirat në Kosovë do të shërbenin si katalizator për procesin e shpërbërjes së Jugoslla­visë, gjë që Enver Hoxha nuk e donte. Shqipëria komuniste, pas prishjes me Kinën në 1978, mbijetonte duke e bërë pjesën më të madhe të tregtisë me Jugosllavinë, ose nëpërmjet Jugosllavisë. Nëse fillo­nte shpërbërja e Jugosllavisë, kjo rrugë do të ndërpri­tej dhe regji­mi komunist në Shqipëri nuk mund të mbijetonte. Hapja kah Perëndimi do të ishte e paevitueshme, gjë të cilën nuk e donin në radhë të parë serbët, se u konvenonte shumë Shqipëria e izoluar staliniste, e cila nuk u sillte asnjë shqetësim për Kosovën, se hapja me Kosovën ishte vetëvrasje për të. Ajo letër që botuan jugosllavët ishte më tepër në favor të Enver Hoxhës, pasi i krijonte atij një alibi, sikur atë e kishin spiunuar bashkëpunëtorët e tij të afërm tek jugosllavët. Kështu, tashmë çdo akuzë e re që do të bënte Enver Hoxha ndaj bashkëpunë­to­rëve të vet të ngushtë si spiunë dhe agjentë, do t’u dukej e besue­shme shqiptarëve.
 
Kadare tek parathënia e librit të Bashkim Shehut vazhdon ta shtjellojë kështu teorinë e vet të shantazhit, duke thënë për Enver Hoxhën:
«I gjendur në rrotat e një makinerie skëterre, ai është gati të pranojë gjithçka. Si përherë është radha e palës tjetër të diktojë kushtet. Duke e pranuar se Shqipëria nuk mund të heshti më gjatë për Kosovën, duke bërë pra një lëshim, ka kërkuar ndër­kaq diçka tjetër...
Enver Hoxha e zbulon vetë misterin. Në akuzën që i bën ‘kryeministrit tradhtar’ ai thotë shprehimisht: kur jugosllavët e panë veten pisk në Kosovë, ata i kërkuan agjentit të tyre Shehut, të bënte diçka për t’u vetëshkatërruar, në mënyrë që Shqipëria të destabilizohej.
Akuza duhet të lexohet ndryshe: kur jugosllavët e panë veten ngushtë në Kosovë, i kërkuan Enver Hoxhës të shpallte tradhtar kryeministrin për të destabilizuar Shqipërinë».[17]
Nuk është e vërtetë se jugosllavët, ose më saktë serbët, që ishin të interesuar për Kosovën, e donin atëherë destabilizimin e Shqipërisë. Destabilizimi i Shqipërisë do të çonte në përmbys­jen e regjimit komunist, se nëse ndodhte kjo, atëherë Shqipëria do të hapej ndaj Perëndimit, dhe kjo do të thoshte edhe hapje e Shqipërisë ndaj Kosovës, çka serbët nuk e donin në asnjë mënyrë. Një Shqipëri e lidhur me Perëndimin ishte makthi më i keq për Serbinë, që pas vdekjes së Titos po rikthehej me shpejtësi në stalinizëm. Në rast se serbët ia kërkuan Enver Hoxhës që ta vriste Mehmet Shehun, ata e bënë këtë gjë, përveç arsyeve të tjera, edhe që të stabilizohej më tepër Shqipëria staliniste, dhe jo e kundërta. Prandaj, Kadare gabon kur thotë:
«Destabilizimi i Shqipërisë ishte në fakt e vetmja gjë që mund të ndihmonte Jugosllavinë për ta mbytur Kosovën. Dhe ashtu ndodhi vërtet: e traumatizuar si asnjëherë tjetër nga rrëzimi i kryeministrit dhe vala e terrorit të atij dimri, Shqipëria e harroi Kosovën. Nga ana tjetër, dhe kjo ishte kryesorja, shqiptarët e Kosovës, kur dëgjuan se vendi amë, ai vend që ishte ëndrra dhe shpresa e tyre për tridhjetë vjet rresht ishte qeverisur nga një agjent serb, u thyen shpirtërisht dhe u shkurajuan. Kjo thikë në shpinë ishte më e hidhur për ta se masakra serbe. Kosova ra në zi të dyfishtë».[18]
Terrori i viteve 1981-1982, e stabilizoi definitivisht Shqipë­rinë staliniste, duke evituar çdo destabilizim të saj, si rezultat i luftës për pushtet mes klaneve të ndryshme në krye të regjimit komunist. Shkurajimi i shqiptarëve përtej kufirit nga kjo ngjarje, ishte sigurisht ajo që donin serbët, dhe që e arritën, me anë të Enver Hoxhës, madje këtu gjërat janë edhe më të ndërlikuara, siç do të tregoj më tutje. Ismail Kadare përfundon:
«Pra, ora e Mehmet Shehut ra në të vërtetë në Kosovë, atje ku disa herë kanë kënduar qyqet për gjithë gadishullin ballka­nik».[19]
Ora e Mehmet Shehut ra me të vërtetë në Kosovë, por në një sens ndryshe nga ai që thotë Kadare. Kjo enigmë, duke për­fshirë dhe vdekjen misterioze të Mehmet Shehut, sqarohet duke lexuar në mënyrën e duhur të famshmen «Tablo sinoptike» të Enver Hoxhës, ku ai paraqet versionin e tij për «tradhtinë» e Mehmet Shehut dhe lidhjen e gjithë kësaj historie me Kosovën. Ajo që Enver Hoxha e quajti «Tablo sinoptike» e komplotit të Mehmet Shehut, u bë publike në vjeshtën e vitit 1982, në librin e Enver Hoxhës «Titistët», ku ajo përbën kapitullin e fundit. Duke e vendosur «tablonë sinoptike» si të fundmin e kapitujve të librit, ku tregohet lufta e stalinistëve shqiptarë, të kryesuar nga Enver Hoxha, me titistët, që nga vetë Tito, deri tek njerëzit e tij në Shqipëri, Enver Hoxha e paraqiti incidentin e tij me Mehmet Shehun në 1981, si të fundmen betejë të tij si stalinist, kundër titistëve. Në fjalorin enverian, fjala «titizëm» nënkup­tonte afrimin me Perëndimin, dhe në radhë të parë me SHBA. Duke botuar Enver Hoxha, dy vjet pas vdekjes së Titos, një libër antititist, nga pikëpamja staliniste, dha të kuptojë se ai, në asnjë rrethanë nuk do të ndiqte shembullin e Titos, duke e hapur Shqipërinë nga Perëndimi, dhe se do të linte një pasardhës të sigurt që nuk do ta bënte kurrë këtë gjë. Kjo ishte pikërisht ajo që donin të dëgjonin serbët dhe rusët nga Enver Hoxha, dhe Shqipëria antititiste ishte pikërisht ajo që ata donin të shikonin, se ajo ishte Shqipëria staliniste, e izoluar në çdo mënyrë nga Perëndimi, çka ishte kryesorja për ta.
Në janar 1981, në vitin kur u bënë demonstratat në Kosovë, dhe ku vdiq në mënyrë misterioze Mehmet Shehu, në SHBA ishte bërë president Regan, i cili hoqi dorë nga politika e fre­nimit, dhe filloi orvatjet për ta përmbysur komunizmin në push­tet në Lindje, sidomos në Poloni, si dhe të ndihmonte shumë guerriljen antisovjetike në Afganistan. Kjo do të thoshte se ishte prishur dhe pakti Hrushov-Kennedy për Shqipërinë i vitit 1961, sipas të cilit si Bashkimi Sovjetik, ashtu dhe SHBA, do të rrinin jashtë Shqipërisë. Tashmë SHBA do të kërkonin ta tërhiqnin Shqipërinë, duke e përmbysur regjimin komunist atje. Sigurisht që në Moskë ishin bërë nervozë për atë nëse do të mund të rezistonte Shqipëria. Demonstratat në Kosovë, në pranverën e vitit 1981, në Moskë u panë si pjesë e kësaj ofensive amerikane ndaj botës komuniste, dhe që synonin shpërbërjen e Jugoslla­visë komuniste, që veç Shqipërisë ishte vendi tjetër jashtë dy blloqeve. Nëse nga Perëndimi po tentohej drejt Polonisë dhe Jugosllavisë, aq më tepër do të tentohej drejt Shqipërisë, që ishte hallka më e dobët e botës komuniste, e mbetur pa asnjë ndihmë ekonomike pasi u braktis nga Kina.
Bashkim Shehu në librin e vet me kujtime thotë se për Polo­ninë u bisedua kur Enver Hoxha erdhi në shtëpinë e Mehmet Shehut t’i urojë fejesën e të birit:
«Ndërsa biseda, më tepër ndërmjet Enverit dhe Mehmetit, kaloi shpejt tek ngjarjet e Polonisë.
- E fitoi reaksioni Poloninë - tha Mehmet Shehu, - duke për­sëritur diçka që e kisha dëgjuar sa e sa herë prej tij përballë tele­vizionit.
- Partia në Poloni është bërë parti tamam socialdemokrate, - tha Enver Hoxha - sepse socialdemokracinë që në fillim e kanë pasur brenda!
- Po ashtu është - pohoi Mehmet Shehu».[20]
Mehmet Shehu do të vritej tre ditë pasi në Poloni u vendos gjendja e emergjencës dhe lëvizja e Solidarnostit u shtyp me dhunë.
Rusët dhe serbët, në 1981 i kërkuan Enver Hoxhës një provë se do t’i qëndronte paktit të vitit 1960-61, se ata do të largohe­shin nga Shqipëria, por vendi nuk do të lidhej me Perëndimin. Kjo provë duhej të ishte një provë gjaku dhe që të përmbante një akuzë për Perëndimin, posaçërisht me SHBA. Serbët kër­kuan që Shqipëria zyrtarisht t’i paraqiste gjërat me gojën e Enver Hoxhës sikur CIA (SHBA) komplotonte me Serbinë kundër kombit shqiptar dhe Kosovës. Serbët donin të nxisnin antiamerikanizmin tek shqiptarët e Kosovës, me anë të Enver Hoxhës. Enver Hoxha i qëndroi paktit, duke përmbushur kërke­sën që iu bë, dhe sigurisht duke kërkuar edhe ai diçka si kundër­shpërblim. Enver Hoxha nuk ka kërkuar që të mos hapeshin dosjet sekrete për të, se e dinte që nuk do të bëhej. Ai ka kër­kuar tregti favorizuese me vendet e bllokut sovjetik, që të mbi­jetonte regjimi i tij, për t’i siguruar popullit një minimum ekzis­tence.
Në të ashtuquajturën tablo sinoptike për komplotin e Meh­met Shehut, Enver Hoxha paraqet këtë teori:
«Ndërkaq Titoja vdiq. Në Jugosllavi u krijua një gjendje pasigurie politike dhe ekonomike. Kriza botërore kapitaliste dhe revizioniste kishte mbërthyer dhe Jugosllavinë e mbytur në bor­xhe. Më shumë se kudo gjendja po ziente në Kosovë nga shtypja e serbomëdhenjve, nga papunësia, nga perspektiva e errët e puno­njësve, të cilët shikonin që në atdheun e tyre mëmë, në Shqipë­rinë socialiste, gjendja ishte krejt ndryshe. Kështu që Kosova nuk shërbeu si urë për të depërtuar vetadministrimi e degjene­rimi ideologjik titist në Shqipëri, por ishte Shqipëria që i tregoi fytyrën e vërtetë të ndritur të socializmit në vendin tonë. Dhe këtë e bëri me marrëdhëniet e kontaktet zyrtare e normale dypa­lëshe me Kosovën dhe jo me anë agjenturore, pse, së pari, kjo nuk ishte vija e Partisë sonë dhe, së dyti, në krye të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte vetë agjentura jugo­sllave (me Feçor Shehun). Prandaj ‘tezat’ e jugosllavëve për gjoja ndërhyrjen e Shqipërisë në rrugë agjenturore për organizi­min e demonstratave në Kosovë, s’kanë asnjë bazë. Agjentura ameri­kane dhe ajo jugosllave filluan të shqetësohen se mos u ikte nga kontrolli Kosova, se mos ndërhynte Shqipëria në bashkë­punim, ndoshta me, sikurse mendonin ata, me Bullgarinë dhe me Bash­kimin Sovjetik».[21]
Enver Hoxha në shpjegimet e tij ndjek një metodë të cilën e përdorte dhe Stalini dhe për të cilën studiuesi i Stalinit, ish-fun­ksionari sovjetik i arratisur në Perëndim Abdurahman Avtor­kha­nov, në librin bestseller «Vdekja e Stalinit: komploti i Berias» shkruan:
«Stalini e kishte zakon që t’u vishte armiqve të tij qëllimet e veta kriminale. Historia e luftës së tij për të hipur në fronin e Leninit është e mbushur plot me shembuj të tillë. Edhe më vonë taktika e tij mbeti e pandryshuar».[22]
Të njëjtën metodë ndiqte dhe Enver Hoxha, i cili projekton tek ata që do të fajësojë shqetësimet e veta. Enver Hoxha falsi­fikon trashë kur thotë se shërbimet sekrete jugosllave dhe ame­ri­kane ishin në të njëjtën linjë sa u përket zhvillimeve në Kosovë në vitin 1981. Pas vdekjes së Titos SHBA nuk ishin më të interesuara për ruajtjen e Jugosllavisë, kështu që amerikanëve u konvenuan demonstratat në Kosovë. Amerikanët nuk kishin pse të bashkëpunonin me serbët për t’i ndihmuar këta të mbanin të nënshtruar Kosovën. Në rastin e ngjarjeve të vitit 1981 ata që u shqetësuan shumë ishin serbët dhe rusët, të cilët shikonin në demonstratat e Kosovës të atij viti një skenar amerikan për shpër­bërjen e Jugosllavisë, gjë që nuk e donin. Shpërbërjen e Jugo­slla­visë, që inicohej me ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë nuk e donte as Enver Hoxha se kjo do të thoshte dhe fundi i regjimit komunist në Shqipëri. Serbët shqetësoheshin vetëm në një rre­thanë për rrezikun që u vinte nga Shqipëria për t’ua hequr nga duart Kosovën, dhe kjo nuk ishte ndërhyrja e Shqipërisë në bashkëpunim me Bashkim Sovjetik, siç thotë Enver Hoxha, se Rusia ishte aleate e serbëve, siç e tregoi dhe koha e sotme, dhe nuk do t’ua bënte kurrë këtë gjë, aq më tepër pas vdekjes së Titos, kur afrimi serbo-rus erdhi duke u bërë gjithherë e më i ngushtë. Serbia, por edhe Rusia atëherë kishin frikë se mos Kosova u ikte nga dora, nëse Shqipëria bashkëpunonte me SHBA, siç edhe në fakt ndodhi kur Shqipëria u iku nga dora në 1999.
Enver Hoxha mashtron trashë kur thotë se pas vdekjes së Titos serbët ende donin që me anë të Kosovës të fusnin tito­izmin në Shqipëri. Kështu del se serbët donin që Shqipëria të afrohej me SHBA, dhe aq më tepër me anë të Kosovës. Këtë duket e ka dashur Tito, pas vitit 1966, kur mënjanoi Ranko­viçin. Por Tito nuk e arriti dot për shkak të refuzimit të Enver Hoxhës. Enver Hoxha më lart pretendon se Shqipëria e asaj kohe i paska treguar Kosovës fytyrën e ndritur të socializmit, siç shprehet ai. Kjo nuk ishte gjë tjetër veç fytyra e Stalinit, që mbijetonte në Shqipëri si një zombie ideologjik. Gjithsesi, këtë skenar të titoizimit të Shqipërisë nëpërmjet Kosovës në asnjë mënyrë nuk e kanë dashur serbët, se kjo do të thoshte për ta humbje e Kosovës dhe afrimi i saj me një Shqipëri të orientuar nga SHBA. Merret vesh, Enver Hoxha këtu u atribuon ame­rikanëve, duke i bërë aleatë të serbëve, ato shqetësime që kishin për Kosovën rusët dhe serbët, të cilat shqetësime siç duket qartë i ndante me ta dhe Enver Hoxha.
Më tutje, Enver Hoxha shkruan:
«Pikërisht në situata të tilla që zienin prej kohësh, në fillimin e vitit 1981 ngjanë demon­stratat në Kosovë. Serbomëdhenjtë dhe UDB-ja jugosllave u alarmuan, dërguan ushtri dhe i shtypën demonstratat me tanke. U vranë e u plagosën me qindra njerëz. Shpërtheu një zjarr i rrezikshëm për gjendjen e brendshme, tashmë të tronditur të Jugosllavisë, si nga krizat ekonomike, ashtu edhe nga ato politike. Bujë e madhe u bë në opinionin ndërkombëtar për këto masa të egra represive. Shqipëria mbajti qëndrim të hapur, sa të vendosur aq edhe të urtë».[23]
Shqipëria në fakt nuk mbajti kurrfarë qëndrimi zyrtar. Siç kam treguar më lart, Shqipëria mbajti vetëm një qendrim media­tik, shumë të ideologjizuar. Kjo provon se Enver Hoxha ndante të njëjtat shqetësime me serbët dhe rusët, sa u përket ngjarjeve të pranverës 1981 në Kosovë. Këtu Enver Hoxha fillon ta shtje­llojë teorinë e tij të konspiracionit: «Jugosllavëve, përveç shpi­fjeve që këto demonstrata ishin nxitur gjoja nga Shqipëria, iu desh të merrnin masa të menjëhershme ‘për të diskredituar’ udhëheq­jen ‘staliniane’ shqiptare, për të turbu­lluar e për të për­mby­sur gjend­jen e shëndoshë në Shqipëri, si dhe për të çorien­tuar forcat patriotike-revolucionare në Kosovë».[24]
Që jugosllavët, ose më saktë serbët, do të akuzonin Shqipë­rinë për organizimin e demonstratave, ky ishte një ekspedient propagandistik i nevojshëm për ta, dhe që Enver Hoxhës nuk i prishte punë, madje e bënte të fitonte pikë para opinionit shqip­tar në Kosovë, dhe më gjerë në ish-Jugosllavi. Madje serbët e mirëprisnin një ndërhyrje të Shqipërisë në Kosovë me anë të organizatave me orientim stalinist, se kështu serbët i thoshin botës se lëvizja e shqiptarëve të Kosovës ishte staliniste, pra primitive. Por serbët nuk kishin asnjë arsye, që, siç thotë Enver Hoxha të vepronin për të përmbysur udhëheqjen staliniste në Shqipëri, me në krye Enver Hoxhën. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë Shqipëria do të orientohej nga Perëndimi, dhe atëherë Shqipëria do të përbënte një rrezik të vërtetë për serbët, sa i përket Kosovës. Ajo që donin serbët në 1981, pas demonstra­tave në Kosovë, ishte përkundrazi që të merrnin masa që regjimi stalinist në Shqipëri nuk do të përmbysej. Edhe një herë Enver Hoxha i kthen gjërat përmbys në rrëfimin e vet. Për qëllimin e mësipërm, serbët dhe rusët i kërkuan Enver Hoxhës që të merrte masa që regjimi stalinist në Shqipëri nuk do të përmbysej edhe pas vdekjes së tij. Dhe siç kam thënë më lart, garancia më e mirë për këtë gjë ishte që të krijohej një meka­nizëm sigurie kundërbalancues mes një udhëheqjeje të dobët, që do të pasonte Enver Hoxhën, dhe establishmentit të diktaturës së konsoliduar. Kështu, serbët dhe rusët kishin garanci se në Shqipëri nuk do të kishte një udhëheqës aq të fortë sa të ndry­shonte kursin e vendit. Mehmet Shehu ishte një udhëheqës i fortë, prandaj ai duhej eliminuar. Prandaj serbët dhe rusët i kër­kuan Enver Hoxhës eliminimin e Mehmet Shehut. Por serbët dhe rusët i kërkuan gjithashtu Enver Hoxhës edhe që ta elimi­nonte Mehmet Shehun si pjesë e një konspiracioni serbo-ameri­kan kundër shqiptarëve të Kosovës. Me këtë serbët dhe rusët llogarisnin që t’i shkurajonin shqiptarët e Kosovës, duke nxitur mosbesimin dhe armiqësinë e tyre ndaj SHBA. Këtë shërbim serbët dhe rusët ia kërkuan Enver Hoxhës dhe ky i fundit ua bëri. Rusëve u konvenonte shumë që Enver Hoxha t’i akuzonte SHBA, sikur kishin konspiruar për të vrarë liderin e një shteti europian, të njohur ndërkombëtarisht, në një kohë që në Perë­ndim i bëheshin akuza KGB-së se kishte dorë në atentatin që iu bë Papa Gjon Palit II në vitin 1981.
Më tutje, Enver Hoxha, sipas stilit të Stalinit të përshkruar nga Avtorkhanov, shkruan:
 
«I kërkuan agjentit të tyre Mehmet Shehut, të vepronte. UDB-ja jugosllave ishte në bashkëpunim me CIA-n dhe i dinte direktivat e kësaj për likuidimin e Enver Hoxhës. Prandaj kër­kuan nga Mehmet Shehu të dërgonte urgjent në Paris të shoqen. Demonstratat ndodhën në mars, kurse ajo në prill 1981 shkoi në Paris. Iu paraqit atje një i dërguar i Çalamanit (vetë Mugosha kishte vdekur, por ‘jetonte’ misioni i tij agjenturor), dhe i dha helmin që duhej të përdornin imediatisht për Enver Hoxhën.
 
Fiqret Shehu e Mehmet Shehu kishin rrahur së bashku men­dimet, kur, ku dhe si do të vepronin me variantet që u kishte su­gjeruar CIA dhe kishin gjetur si më të mundshëm helmimin me veprim të zgjatur që mund ta realizonin kur venim e vinin në vizita te njëri-tjetri».[25]
 
Këtu gjërat duhen lexuar se ishin serbët ata që i kërkuan Enver Hoxhës që ta likuidonte Mehmet Shehun, dhe të shoqen Fiqret, duke i arrestuar dhe dënuar me vdekje si agjent të CIA dhe UDB, që kishte përgatitur një atentat ndaj Enver Hoxhës. Enver Hoxha e ka diskutuar gjatë me Nexhmije Hoxhën këtë gjë dhe ka arritur tek përfundimi se mënyra më e mirë ishte që të inskenohej vetëvrasja e Mehmet Shehut dhe pastaj të zbulo­hej tradhtia e tij. Arrestimi i Mehmet Shehut, duke ditur se kush ishte ai dhe çfarë aftësish kishte, mund të krijonte situata të rrezikshme të paparashikuara për Enver Hoxhën. Nuk ishte e lehtë që sa kohë që Mehmet Shehu ishte gjallë dhe në pushtet të përgatitej dosja për të si agjent i CIA, se ai mund ta mësonte këtë gjë dhe të reagonte me mënyrën e vet, si ai që nuk ka asgjë për të humbur. Gjithashtu vini re, se si Enver Hoxha përdor në vitin 1981 fjalën UDB për shërbimin sekret jugosllav. Që Enver Hoxha nuk e ka seriozisht kur thotë se shërbimi sekret jugosllav kishte organizuar një konspiracion në Shqipëri, në 1981, kjo kuptohet nga fakti se Enver Hoxha për shërbimin sekret jugo­sllav të vitit 1981, përdor fjalën: UDB. Kur shërbimi sekret jugosllav kishte ndryshuar emër që në vitet gjashtëdhjetë.
Më tutje, Enver Hoxha vazhdon me stilin e vet të projektimit të bëmave të veta tek tjetri, në këtë rast, Mehmet Shehu:
«Varianti që i dhanë jugosllavët Mehmetit, që të vepronte menjë­herë e shpejt, e gjeti atë të papërgatitur. Mehmet Shehu pati frikë, nuk i pëlqeu kjo vënie e të dyja këmbëve në një këpucë. Prandaj, iu drejtua padronit të madh CIA-s amerikane. Fiqret Shehu filloi të vizitojë kryeqytetet e Evropës, Vienën, Stokholmin, Kopenhagën. Ajo u takua edhe në Stokholm, edhe në Danimarkë me përfaqësues të CIA-s ku parashtroi mendimin e Mehmetit që të mos vepronte siç kërkonin jugosllavët, me nxitim, se nuk ishin përgatitur mirë; helmimin ose likuidimin fizik të Enver Hoxhës ta linin për në mars 1982 (gjatë pushi­meve dimërore), kurse deri atëherë mund të ndërmerrnin ndonjë veprim që mund të sillte një përçarje në Parti dhe nxitje të elementit liberal. Përfaqësuesi i CIA-s u mor vesh me qendrën e tij dhe, në takimin e dytë, tani në Danimarkë, u dha miratimi për variantin e Mehmetit».[26]
Këtu gjërat duhen lexuar se Enver Hoxha u gjend i papërga­titur ngase serbët dhe rusët ia kërkuan me ngut eliminimin e Mehmet Shehut dhe e gjeti veten me këmbët e vëna në një këpucë, siç thotë vetë për Shehun. Prandaj, Enver Hoxha kërkoi kohë dhe duket se çoi Nexhmije Hoxhën për bisedime, duke u kërkuar serbëve dhe rusëve, që në ndërkohë të ndërmerrte diçka për të parapërgatitur situatën për inskenimin e komplotit, duke shfrytëzuar ndonjë pikë të dobët të Mehmet Shehut, që do të shërbente si pikëmbështetje për «levën e Arkimedit» të sajimit të konspiracionit.
Enver Hoxha më tutje shkruan:
«Në këtë kuadër Mehmet Shehu bëri fejesën e djalit me vajzën e një familjeje, në rrethin e së cilës kishte 6-7 kriminelë lufte, të arratisur, ndër ta edhe agjentin e njohur të CIA-s, Arshi Pipën. Një fejesë e tillë nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e opinionit, përkundrazi, ajo bëhej pikërisht me qëllim që të tërhiqte vëmendjen, të bënte bujë dhe, po të pranohej nga Partia, do të vinte përçarja, liberalizmi edhe në të tjerë, në Parti, në rini etj. Po të mos pranohej nga Partia, do të merreshin masa ndaj Mehmet Shehut, natyrisht jo me burgosje, por me ulje në për­gjegjësi, me mënjanim ose edhe me përjashtim nga Partia. Kjo do të bënte bujë dhe jugosllavët mund ta përdornin sikurse u duhej, për qëllimet e tyre propagandistike, për diskreditimin e udhëheqjes së Partisë së Punës së Shqipërisë e, sidomos, të Enver Hoxhës, i cili, siç kanë përsëritur vazhdimisht, ashtu si Stalini, ‘po elimi­non’ bashkëpunëtorët e vet».[27]
Kjo që shkruan Enver Hoxha duhet lexuar se ai vendosi të shfrytëzonte fejesën e djalit të Mehmet Shehut, për marrëdhë­niet e të cilit me atë vajzë Enver Hoxha sigurisht që ishte vënë në dijeni nga Sigurimi i Shtetit që para shtatorit 1981, kur u shpall fejesa. Ato që thotë Enver Hoxha më lart për planin e Mehmet Shehut për ta përdorur fejesën e djalit për diversion, janë të pabesueshme se kështu i bie që Enver Hoxha duke mbë­shtetur nipërit e vet, fëmijët e Bahri Omarit, të pushkatuar si armik i popullit, donte të nxiste liberalizimin. Të fuqishmit e regjimit komunist, që nga vetë Enver Hoxha i lejonin vetes standard të dyfishtë, si atëherë kur atyre që mbanin veshje perëndimore, që ua sillnin të afërmit nga Perëndimi u viheshin fletë-rrufe, ndërsa fëmijët e liderëve, duke përfshirë dhe ata të Enver Hoxhës, udhëtonin jashtë vendit dhe mbanin veshje perëndimore. Në 1981 diktatura ishte konsoliduar aq shumë sa edhe fejesa e djalit të Mehmet Shehut do të kalonte me të zakon­shmen: E di partia!
Bashkim Shehu shkruan kështu në librin «Vjeshta e ank­thit»:
«Hyrja jonë në shtëpinë e re përkoi me fejesën e tim vëllai, Skënderit. Skënderi ishte 32 vjeç dhe ishte i vetmi beqar ndër ne të tre vëllezërit. Beqaria e tij i rëndonte prej vitesh babait si një peng i vonuar. Ndaj dhe ngazëllimi i babait për këtë fejesë, që ishte njëherë dhe heqja e atij pengu, qe e dyfishtë. Madje, kjo e bëri të flakte edhe çdo paragjykim, në lidhje me ato që, sipas bindjeve të tij partiake, mund të quheshin njolla në biografinë e vajzës: një xhaxha i arratisur në Amerikë, eksponent i antiko­munizmit në mërgim, pastaj Arshi Pipa, çka duhet të ishte edhe më e rëndë, megjithëse me një lidhje më të largët, kushëri i parë i nënës, pastaj edhe të tjerë njerëz nga farefisnia, diskriminuar e persekutuar. Mirëpo, asgjë mangut, fejesa u bë».[28]
Bashkim Shehu, më tutje shkruan:
«Më 1 shtator erdhi në shtëpinë tonë babai i vajzës, profesor Qazim Turdiu, për të biseduar me Mehmetin, dhe kështu u ven­dos që të shpallej fejesa. Të nesërmen erdhi vajza, Silva. Të pasnesërmen, në datë 3 shtator mbasdite, filluan vizitat. Të parët erdhën Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha. Kjo përbënte, pa fjalë, miratimin zyrtar të fejesës.
- E njoh babanë tënd, profesor Turdiun, - i tha Enver Hoxha Silvës, me një të folur të ngadalshme e me zë të thellë, - kam shumë respekt për profesor Turdiun. M’i bëj të fala. Jam shumë i gëzuar që Mehmeti e bëri këtë fejesë.
- Edhe unë e njoh shumë mirë nënën tënde, - tha Nexhmija, - kemi qenë shoqe shkolle në kohën e Luftës. I bëj shumë të fala nga unë».[29]
 
Pra, Enver Hoxha dhe bashkëshortja e tij, e dinin mirë se me kë kishin të bënin, por e pranuan fejesën, për ta tërhequr Meh­met Shehun në kurth. Por pas disa ditësh Enver Hoxha ndryshoi qëndrim. Ai shkruan në tablonë sinoptike:
 
«Por planet nuk u realizuan dot ashtu siç kishte menduar Mehmet Shehu. Ndërhyri partia menjëherë, fejesa u prish, Meh­met Shehu u kritikua nga shokët për këtë gabim të madh politik, iu kërkua të bëjë autokritikë të thellë për të gjetur burimet e një gabimi të tillë dhe u la që kjo të bëhej pas Kongresit të 8-të të Partisë».[30]
 
Ismail Kadare tek parathënia e librit të Bashkim Shehut shkruan:
 
«Rënia e Shehut vazhdoi rreth tre muaj, midis shtatorit dhe dhjetorit 1981, kohë që biri i tij e quan ‘Vjeshta e ankthit’. Ajo rënie e kishte krejtësisht ritmin e një drame: fillonte me një prolog gjoja të hareshëm, fejesën e djalit të mesëm të kryemi­nistrit, ku merrte pjesë vetë tirani; për të mbaruar me kufomën e tij me dy plumba, me armë të pajisur me heshtues, pa auto­psi».[31]
Ky është epigrami i saktë i asaj që ndodhi në të vërtetë. Por tek romani «Pasardhësi» Kadare shkruan:
«Kishte filluar gjithçka, bashkë me muajin shtator. Ndërsa ktheheshin nga pushimet, njerëzit e gjenin kryeqytetin plot me lajme, nga ato që më parë quheshin 'mondane'. Pasardhësi kishte fejuar vajzën e vetme. Veç kësaj, sapo kishte hyrë në banesën e re, ndërtimi i së cilës kishte nxitur jo pak kureshti në Tiranë. Në të vërtetë ajo që quhej ‘shtëpi e re’, s’ishte veç vila ku banonte prej vitesh, e meremetuar aq mjeshtërisht gjatë verës, saqë mezi njihej. Që thënia e vjetër, se shtëpia e re mund të sillte prapësi, ishte ende e gjallë, megjithë fushatat e njëpasnjëshme kundër bestytnive, kjo u duk pikërisht atë vjeshtë. Nuk u kuptua asnjë­herë, nëse Pasardhësi e kishte dëgjuar atë, por ngutja e tij që cere­moninë e fejesës së vajzës ta bënte pikërisht ditën e hyrjes në banesën e re, nuk rreshti së shkaktuari komente kudo».[32]
Kjo është dashuria e dytë e Suzanës, vajzës së Pasardhësit. Dashuria e parë përshkruhet tek «Vajza e Agamemnonit». Këtu gjithçka, që nga koha (shtator) tek rrethanat, është në analogji të plotë me fejesën fatale për familjen e Mehmet Shehut. Por më poshtë bie edhe më tepër në sy inkoherenca me linjën e pjesës së parë të diptikut «Vajza e Agamemnonit», kur Kadare shkruan tek «Pasardhësi»:
«Pa u shuar mirë dritat e festës, ndërsa Prijsi i vendit, ai, që vizita dhe urimi i të cilit i kishte dhënë ngazëllim të ri gjith­çkaje, po largohej në këmbë drejt shtëpisë së vet, një erë e akullt u duk se fryu befas, s’dihej nga.
Ka marrë një njoftim të papritur në atë rrugëtim të shkurtër, nga shtëpia e Pasardhësit tek e vetja? Ia kanë dhënë kumtimin rrugës, apo e ka gjetur te hyrja e shtëpisë së vet, tek çapitej i kërrusur, nën peshën e palltos së zezë, këtë nuk e ka ditur kurrë askush. E sigurt ishte që, po atë mbrëmje u hapën fjalët e para ogurzeza: fejesa që kishte bërë Pasardhësi, kishte qenë politi­kisht e gabuar. Ndonëse i ati i dhëndrit, sizmiologu i njohur Besim Dakli, falë zemërgjerësisë së Partisë jepte herë pas here mësim në Universitet, familja Dakli quhej e deklasuar. Mund të mbyllje syrin për një kuadër të thjeshtë, por kurrsesi për Pas­ardhësin.
Pyetja e rrezikshme, që më shumë se me fjalë u shpreh me ca shikime plot nënkuptim, lidhej me atë, që krushqia e familjes Dakli me Pasardhësin, ishte bërë e njohur së paku dy javë për­para vizitës së Prijsit. Rrjedhimisht, ardhja për urim e këtij të fundit, kishte qenë njëherazi edhe miratim për fejesën. Ishte kjo arsyeja, ndoshta, që ngazëllimi i asaj dite të paharruar i kishte kaluar të gjithë kufijtë. Mirëpo fill pas ikjes së Prijsit, diçka e çuditshme kishte ndodhur. Një zbulim i fundit, i beftë, lidhur me familjen Dakli? Një kumt i ardhur nga diku, ndoshta nga larg, për diçka tronditëse, që shërbimit të fshehtë, në ato dy javë të ethshme të hulumutimit mbarë e prapë të dosjes së Daklëve, i kishte shpëtuar?»[33]
Por tek «Vajza e Agamemnonit» thuhet se Suzana u detyrua nga i ati që të ndahet nga i dashuri, se ishte i fejuar. Si do të pranonte i ati të fejohej me një të deklasuar? Tek romani «Pasardhësi» Kadare e përshkruan kështu Pasardhësin, që është personazh dhe tek pjesa e parë e diptikut:
«Natyrisht, mendimi i parë që vinte pas mbytjes së një pasardhësi, ishte ndryshimi i vijës. E keqja ishte se nga moria e njoftimeve, asnjëri nuk jepte kurrfarë të dhëne se Pasardhësi paskësh treguar ndonjë shenjë sado të drojtur, për ndryshim vije në politikën shqiptare.
Ishte e vërtetë se krushqia me një familje ‘borgjeze’ mund të merrej në Shqipëri si kumt zbutjeje i luftës së klasave, por njeriu i fundit, të cilit mund t’i bëhej një fajësim i tillë, ishte pikërisht Pasardhësi. Gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë, kishte qenë gjithmonë mishërim i ashpërsisë dhe asnjëherë i zbutjes. Prej kohësh e kishte pranuar këtë rol, aq sa ishte dyshuar se Prijsi kur kishte dashur të provonte ndonjë shtrëngim të ri, si kasnec të parë të këtij kishte nxjerrë Pasardhësin. Dhe, më pas, në rast se shtrëngimi ishte gjykuar tepër i ashpër, kishte qenë prapë Pasardhësi që kishte marrë përsipër fajin, ndërsa Prijsit i kishte mbetur roli i zbutësit. Këtë herë, çdo gjë kishte ndodhur mbrapsht».[34]
Mehmet Shehu (Pasardhësi) ka pasur atë natyrë që i jep Ka­dare personazhit të vet tek pjesa e dytë e diptikut, por ama tek «Vajza e Agamemnonit» Kadare thotë se Pasardhësi ishte i butë, aq sa Prijsi i kërkoi një provë me «sëpatën e bardhë», duke e ditur se nuk e përdorte dot «sëpatën e përgjakur». Kjo inko­herencë është një e dhënë shtesë se Kadare kishte një projekt tjetër për romanin «Pasardhësi», siç kam treguar më lart.
Në romanin «Pasardhësi», Ismail Kadare, vetëm në një rast bën një lidhje me pjesën e parë të diptikut, kur tregon për hetue­sinë që iu bë Suzanës pas vdekjes së të atit, Pasardhësit:
«Një ndërhyrje e hetuesit për të hedhur dritë mbi historinë e parë, e kishte dendësuar më fort mjegullën. I ati nuk e kishte nxitur, përkundrazi e kishte penguar dashurinë e parë të saj, ngaqë ajo gjithashtu pengonte karrierën e tij, por këtë herë, në tjetër kah. I zgjedhuri yt i parë, me sa dimë ne, ishte nga një familje komu­nistësh dhe gazetar në TV shtetëror, apo jo? Pyeste hetuesi. Po, ashtu ishte, pohonte vajza. Domethënë një djalë i lidhur me socializmin, arsye e mjaftueshme kjo për tët atë, që të mos donte ta fuste në shtëpi, vazhdonte hetuesi.
Frymëmarrja e shpeshtuar e vajzës ia mbyste aty-këtu fjalët. Pyetjes së përsëritur të hetuesit se, me sa dukej, qysh në atë kohë babai i saj e ruante vajzën për një krushqi politike, të mbrap­shtë, vajza, përmes ngulçit, i përgjigjej: nuk e di!
Rrëfimi i mëtejshëm i vajzës se, as lutjet e as lotët e saj nuk ia kishin zbutur zemrën të atit, mund të merrej po aq për his­torinë e parë të saj, të ndërprerë vrazhdësisht, sa edhe për feje­sën e fundit të nxitur, ashtu siç po dilte tani, për një qëllim ogurzi».[35]
Në të vërtetë, kështu siç i ka paraqitur gjërat Kadare në roman, del sikur Pasardhësi (Mehmet Shehu) duke pranuar feje­sën e dytë ka pasur vërtet një qëllim politik. Këtu qëndron një nga misteret e diptikut të Kadaresë.
Më tutje Kadare bën një mashtrim të çuditshëm kur shkruan tek «Pasardhësi»:
 
«Si çdo lajm i keq, fejesa e prishur ishte marrë vesh shumë më rrufeshëm se shpallja e saj... Rënia e trysnisë e çoi vëme­nd­jen te kureshtitë e vogla sentimentale. Ndonëse me zë të ulët, ato rrëfeheshin gjithandej. Ndërprerja e telefonave midis dy të fejuarve. Dhëndri dhe i ati i tij, Besim Dakli, te porta e Pas­ardhësit, të mbështjellë me pallto të mëdha, duke pritur të merr­nin shpjegime për atë që po ndodhte».[36]
Kështu del se Qazim Turdiu me vajzën paskan shkuar në bllokun e udhëheqjes t’i kërkojnë shpjegime Mehmet Shehut për prishjen e fejesës! Kjo në atë kohë as që mund të imagji­nohej! Me këtë Kadare vetëm sa e bën diktaturën të duket e butë, kur në fakt nuk ishte kështu.
Pas shpalljes së fejesës së djalit të Mehmet Shehut, tashmë Enver Hoxha kishte atë që i duhej për të vënë në zbatim manua­lin e tij të zbulimit të konspiracioneve. Ai shkruan:
«Ndërkaq çështja e Kosovës po bëhej e rrezikshme. Jugo­sllavët po demaskoheshin në opinionin politik ndërkombë­tar, kurse autoriteti i vendit tonë po ngrihej. Jugosllavët panë se asgjë nuk ngjau, as para Kongresit, as më vonë. Mehmet Shehu e mbajti raportin në Kongres, ai u zgjodh edhe në Byronë Poli­tike, asnjë masë nuk u mor kundër tij, siç shpresonin jugoslla­vët, për ta ulur ose për ta hequr nga funksioni që kishte në shtet. Pasi mbaroi Kongresi ndoshta Mehmet Shehu njoftoi jugoslla­vët se, edhe pas dorëzimit të autokritikës, ai po trajtohej njëlloj. Me sa kishte kuptuar nga bisedat tona me të, masa e dënimit do të ishte me karakter të brendshëm partie. Kjo nuk u leverdiste titistëve, serbomëdhenjve dhe UDB-së jugosllave që pritnin e kërkonin të ngjiste me çdo kusht rrëmuja në Shqipëri. Prandaj ambasada jugosllave në Tiranë, në prag të mbledhjes së Byrosë Politike, ku do të diskutohej për ‘gabimin e rëndë politik të Mehmet Shehut’, sipas urdhërave që kishte marrë nga Beogradi, ngarkoi agjentin e vet dhe ndërlidhësin, Feçor Shehun, të vente te Mehmet Shehu e t’i transmetonte ‘ultimatumin’ e UDB-së që ‘Enver Hoxha të vritej me çdo kusht edhe në mbledhje, qoftë duke u vrarë edhe ai vetë’».[37]
 
Këto që shkruan Enver Hoxha duhen lexuar kështu: Ser­bët i kërkuan Enver Hoxhës që ta shkarkonte Mehmet Shehun në kongresin e PPSH, që u mbajt në nëntor, duke përgatitur kështu arrestimin e tij. Në fakt Enver Hoxha kështu kishte vep­ruar me të tjerët, që i kishte shpallur tradhtarë, por me Mehmet Shehun hezitonte që ta bënte këtë gjë sepse Mehmet Shehu i dukej shumë më i rrezikshëm se të tjerët. Mehmet Shehut nuk i duhej lënë të kuptonte se loja ishte bërë zero sum game, në këtë rast ai do të reagonte. Mehmet Shehu deri në fund duhej bërë të be­sonte se loja ishte non-zero sum game. Dhe Enver Hoxha dinte ta luante shumë mirë këtë lojë, duke bërë që të krijohej përshtypja se Mehmet Shehu kishte filluar të izolohej dhe nuk shihej me sy të mirë prej tij, ndërsa në anën tjetër t’i krijonte për­shtypjenMehmet Shehut, se thjesht po bënte liturgjinë e zakon­shme ideologjike dhe pastaj çdo gjë do të ishte si më parë. EnverHoxha bëri që kongresi të konfirmonte pozitën partiake të Mehmet Shehut, duke e kufizuar kritikën për të në Byronë Politike.
Kjo gjë nuk duhet t’u ketë pëlqyer serbëve, të cilët pastaj, në prag të mbledhjes së Byrosë Politike, ku do të shqyrtohej auto­kritika e Mehmet Shehut, i kanë kërkuar Enver Hoxhës që ta eliminojë Mehmet Shehun në mënyrë spektakolare, qoftë edhe në mbledhjen e Byrosë Politike dhe të thuhet pastaj se ai desh të vriste Enver Hoxhën, sipas planit të një konspiracioni të orga­nizuar nga CIA. Enver Hoxha ka menduar që ta vrasë Meh­met Shehun me anë të Feçor Shehut, ministrit të brendshëm, i cili, pavarësisht nga mbiemri, nuk kishte lidhje gjaku me Mehmet Shehun; Feçor Shehu ishte nga Hekali i Mallkastrës, ndërsa Mehmet Shehu nga Çorrushi. Por duket se kjo gjë i është dukur e pasigurt Enver Hoxhës, se ka dyshuar tek besnikëria e Feçor Shehut. Enver Hoxha pra, projekton tek kundërshtari lojën e vet. Ajo që thotë Enver Hoxha se serbët i thanë Mehmet Shehut se duhet të vriste Enver Hoxhën edhe sikur të vritej edhe vetë, duhet lexuar se serbët i thanë Enver Hoxhës se duhet të vriste Mehmet Shehun në mënyrë spektakolare, edhe sikur të rrezi­konte të vritej, edhe ai vetë.
Enver Hoxha shkruan:
«Kaq ngushtë kishte rënë UDB-ja, klika titiste e serbomadhe me gjendjen në Kosovë, kaq zi u dukej perspektiva, saqë ven­dosën të djegin kartën e madhe, superagjentin e tyre, veç të ndodhte diçka spektakulare që ‘të bënte t’i tronditeshin theme­let’ Shqipërisë socialiste dhe Partisë së Punës të Shqipërisë!»[38]
  
Këto rreshta janë me të vërtetë të mahnitshme, të lexuara në mënyrë të përmbysur! Serbët nuk donin të tronditeshin themelet e Shqipërisë socialiste (lexo: staliniste), apo të PPSH, por donin vetëm që të dukej se SHBA donin ta bënin këtë gjë me anë të një puçi, pra t’i akuzonin për terrorizëm.
  
Enver Hoxha shkruan:
  
«Më 16 dhjetor 1981, në orën 10 të natës, Feçor Shehu i shkoi Mehmet Shehut në shtëpi dhe i transmetoi urdhrin e qen­drës së tyre agjenturore».[39]
  
Këto rreshta duhen lexuar se, një ditë para mbledhjes së Byrosë Politike për autokritikën e Mehmet Shehut, që do të mbahej në 17 dhjetor, tek Enver Hoxha shkoi i dër­guari i Beo­gra­dit dhe i Moskës, që nuk ishte Feçor Shehu, por dikush tje­tër, dhe i tha se ishte koha për të vrarë Mehmet She­hun, pa vonesë, në mënyrë spektakolare, në mbledhjen ku shqyr­tohej autokritika e tij, duke u paraqitur gjërat sikur kjo u bë në kohën që ai tentoi të vriste Enver Hoxhën.
  
Enver Hoxha, si dinak që ishte, për të rrezikuar sa më pak, vuri në veprim një plan të mirëmenduar prej tij. Si një njeri me sens të shkëlqyer thrilling, Enver Hoxha e ndërpreu shfaqjen në momentin kulminant, duke e shtyrë në të nesërmen. Enver Hoxha e ndërpreu mbledhjen e Byrosë Politike, pikërisht kur do të fli­ste ai vetë, që fliste gjithherë i fundit dhe thoshte fjalën vendim­tare. Enver Hoxha shkruan:
  
«Po për shkak se qe bërë vonë, diskutimi im nuk u mbajt atë ditë. U la kështu që mbledhja të vazhdonte të nesërmen, por, në fund të diskutimeve të ditës së parë, i thashë Mehmetit:
  
- Reflekto thellë gjithë natën dhe nesër na thuaj në Byronë politike se nga ç’motive je nisur. Alibia e fejesës nuk qëndron, tjetër gjë të ka shtyrë në këtë veprim të dënueshëm».[40]
Tashmë Enver Hoxha kishte gjithë natën para për ta mbyllur çështjen e Mehmet Shehut, kohë kur mund të vazhdonte me zbatimin e pjesës tjetër të skenarit të vet, eliminimin e Mehmet Shehut. Një gjë ishte e sigurt. Enver Hoxha nuk donte në asnjë mënyrë që Mehmet Shehu të gjendej të nesërmen në mbledhje. Nuk dihej se çfarë plani mund të bënte Mehmet Shehu, për ta zbatuar të nesërmen. Madje, Enver Hoxha dyshonte dhe për atë që mund të bënte Mehmet Shehu gjatë natës. Enver Hoxha dyshonte se edhe Mehmet Shehu, nëse kishte krijuar bindjen se Enver Hoxha kishte vendosur që ta eliminonte, kishte bërë një plan për ta eliminuar Enver Hoxhën dhe ishte duke ndjekur një agjendë të vetën, ndërsa me autokritikat e tij të përsëritura donte të mashtronte Enver Hoxhën.
Enver Hoxha shkruan:
«Ajo që i thashë e alarmoi Mehmetin, ai kujtoi se mos ishte zbuluar krimi që përgatiste. ‘Trimi’ Mehmet Shehu u mendua për tërë natën si të shpëtonte nga kjo darë dhe mendoi e zbatoi një plan të vetin. Ai, siç duket, gjykoi kështu: ‘I vdekur se i vdekur jam, më mirë të shpëtoj ç’mund të shpëtoj’ dhe vendosi të bëjë si shoku i tij Nako Spiru, të vriste veten, duke menduar se Partia këtë farë ‘burri shteti’, ‘udhë­heqës legjendar’, ‘parti­zan e luftëtar i Spanjës’, do ta varroste me nderime, do ta çnjo­lloste duke thënë se ‘i shkrepi arma në duar’ (sikurse na sugje­ronte edhe në letrën që la), dhe kështu të paktën, nuk humbiste e kaluara e tij, dhe nuk i pësonte gjë familja.
Tok me të shoqen hodhën helmin në WC dhe ngarkuan djalin e madh të zbërthente e të zhdukte pjesët komprometuese të radios që kishte instaluar. Fiqret Shehu, si agjente që ishte (ajo që qante e trembej për hiçgjë), me gjakftohtësi e cinizëm, pranoi vetëvrasjen e të shoqit, mjaft që të shpëtonte vetë me djemtë dhe e kaluara e tyre ‘historike’».[41]
Këto rreshta duhen lexuar kështu: Enver Hoxha me shoqen e vet, Nexhmijen, morën vendimin për ta eliminuar Mehmet Shehun atë natë, duke e paraqitur ngjarjen si vetëvrasje. Enver Hoxha të habit kur thotë se Mehmet Shehu kishte një radio­transmetuese në shtëpi me të cilën komunikonte me spiunazhet e huaja. Radiopelengatorët (interceptuesit e sinjaleve të radios) të Sigurimit të Shtetit me siguri që do të binin në gjurmë të këtij radiotransmetuesi të gjendur në bllokun e udhëheqjes komu­niste dhe nuk do ta kishin të vështirë të zbulonin se ku gjendej. Kështu, duhej pritur që veprimtaria agjenturore e Mehmet She­hut të ishte zbuluar që më parë, nëse ndodhte vërtet.
Çfarëdo që të ketë ndodhur me Mehmet Shehun atë natë, ka ndodhur pas orës 01:30, pasi Bashkim Shehu në librin e vet me kujtime dëshmon për atë që ndodhte në shtëpinë e vet natën e 17-18 dhjetorit 1981:
«Endjet nëpër korridore vazhduan deri në ora 1.30 të 18 dhjetorit. I fundit që shkoi të shihte Mehmetin ishte Vladimiri. Nëpër korridorin e gjatë e me kthesa, që për­shkonte krejt katin e dytë, ai doli në sallon dhe u ndal para derës së studios. Përposht derës dukej vijëza e dritës së ndezur. Mirëpo, tek matej të hynte ngurroi dhe u kthye në dhomën e tij. Do t’i mbetej peng që nuk hyri. ‘Po t’i kisha vajtur, ndoshta asgjë nuk do të ndodhte’ më tha të nesërmen.
Unë ndërkaq kisha ndonja dy orë që flija. Kisha rënë në shtrat aty midis orës 23 dhe 23:30 dhe, si zakonisht, gjumi më kishte zënë menjëherë. Të nesërmen u zgjova në 6.20, hëngra mëngjesin dhe shkova në punë. Po rreth orës 8 më kërkuan».[42]
Pra, pas orës 01:30, bie perdja dhe ngjarjet luhen pas saj, për t’u çuar vetëm në mëngjes, në orën 07:55, kur ngrihet perdja dhe shfaqet kufoma e Mehmet Shehut në shtratin e vet. Çfarë ka ndodhur midis orës 01:30 dhe orës 07:55? Në Plenumin VII, në shtator 1983, Enver Hoxha thotë:
«Në këtë luftë shpirtërore dhe dilemë për jetë a vdekje, Meh­met Shehu, natën e 17 dhjetorit, siç e dimë, thërriti fshehurazi Kadri Hazbiun, të cilin e kishte si dorë të djathtë ekzekutuese, dhe e pyeti nëse e gjykonte gjendjen e tij tepër të rëndë, ç’do të ngjiste të nesërmen me të kur të fliste shoku Enver, përse e kishte fjalën kur tha: ‘Alibia jote nuk qëndron’ etj., etj.
Kadri Hazbiu, për interesat e vet përsonalë jetikë e arrivistë dhe për interesat agjenturorë të padronëve që e kishin rekrutuar, i fryu zjarrit dhe e paraqiti gjendjen e Mehmetit pa shpresë, prandaj nuk mbetej rrugë tjetër veç të vriste veten. Dhe Mehmet Shehu ia hoqi vetes».[43]
Kjo duhet lexuar e përmbysur, pra që ishte Enver Hoxha ai që thirri Kadri Hazbiun dhe i tha të shkonte një herë tek Meh­met Shehu dhe të hetonte se çfarë po bënte. Kadri Hazbiu ishte njeriu që i kishte vënë Enver Hoxha Mehmet Shehut për ta mbikëqyrur që kur e bëri këtë të fundit ministër të brendshëm në 1948, dhe kur Kadri Hazbiu u bë zëvendësi i tij, për ta zëven­dësuar më pas, në 1954 Mehmet Shehun në postin e minis­­trit të brendshëm, të cilin e mbajti për 26 vjet, deri në 1980. Enver Hoxha në 1980 e largoi Kadri Hazbiun nga ministria e brend­shme për t’i ulur dyshimin Mehmet Shehut, i cili largimin e Kadri Hazbiut nga ministria e brendshme, që kishte në varësi së pari Sigurimin e Shtetit, e shikonte si një shenjë se Enver Hoxha nuk donte ta përdorte Kadri Hazbiun kundër Mehmet Shehut.
Ismail Kadare, në romanin «Pasardhësi» i bën të meditojnë kështu analistët e zbulimeve të huaja për vdekjen misterioze të Mehmet Shehut:
«Vrasje apo vetëvrasje? E nëse ishte vrasje, nga kush ishte kryer? Dhe kryesorja: për ç’shkak? Shumica e njoftimeve vazhdonin të ngulnin këmbë për zyrtarin tepër të lartë, një farë hijeje, që ishte parë të hynte te shtëpia e Pasardhësit natën fatale. Madje disa jepnin dhe emrin e atij që dyshohej se kishte qenë hija: Adrian Hasobeu, ministri i Brendshëm. Pikërisht ai që e paskësh lënë atë post ato ditë, për një emërim më të lartë. Në të gjitha parashikimet e analistëve, jepej si mëtonjësi i parë për t’i zënë vendin Pasardhësit».[44]
Adrian Hasobeu është Kadri Hazbiu, i cili një vit më parë, në 1980, la postin e Ministrit të Brendshëm, për t’u bërë Ministri i Mbrojtjes.
Më tutje, Ismail Kadare në roman tregon për fjalët që qarku­llonin për vdekjen e Mehmet Shehut:
«Bashkë me spikamën e hijes, një tufë hollësish të tjera shti­lleshin në atë mjegullinë. Porosia e Pasardhësit për ta zgjuar në orën tetë të mëngjesit. Gjumi i rëndë plumb i së shoqes dhe era e e keqe e barutit, që i ishte përplasur në fytyrë, pikërisht në orën tetë, kur kishte hapur derën. Lëvizja e makinave në bllok gjatë natës. Shiu dhe era që ndërronte drejtim gjithkah. Dy nje­rëz që thu­hej se ishin parë që nga jashtë (nga ndonjëri prej rojeve, ndoshta) duke zbritur, ose duke ngjitur shkallët e shtë­pisë, bashkë me Pas­ardhësin. Ishin parë veç një grimë kohe, pas qelqnajës së katit përdhes, nën dritën e një shkreptime, tek mbanin për kra­hësh Pas­ardhësin, të ngrirë krejt, si të ishte prej dylli!
Të gjallë po e ngjitnin apo po e zbrisnin? Të mpirë, të pla­gosur, të vdekur? Për ta çuar në qilar, a në morg? Për t’i bërë një makiazh të nevojshëm, ndoshta. Një ndryshim në vendin e plagës, mbylljen e saj për shembull, për ta zëvendësuar me një tjetër?
Kurse në qilar kishte një kalim të nëndheshëm që s’e dinte askush...».[45]
Ndërsa tek parathënia e librit të Bashkim Shehut, Ismail Kadare shkruan:
«Flitet se vrasësit mund të kenë hyrë nga poshtë, nga kalimet e nëndheshme. Flitet se janë parë dy njerëz duke e mbajtur përkrahu kryeministrin ose kufonën e tij, duke e zbritur të gjallë nga kati i sipërm në podrum, ose duke e ngjitur të vrarë ndërkaq nga podrumi në katin e sipërm. Flitet natyrisht se shumica e rojeve ishin të blerë».[46]
Djali i Mehmet Shehut, Bashkim Shehu, shkruan për këtë çështje:
«Më anë tjetër, që të mbërrinte në fshehtësi te Mehmet Shehu, kjo ka qenë krejt e mundshme: në shtëpinë tonë mund të futesh edhe nëpërmjet një kalimi të nëndheshëm, që e kishte hyrjen te garazhi jashtë mureve të oborrit dhe të nxirrte tek një ashensor, me të cilin mund të ngjiteshe drejt e në katin e sipërm, tamam përballë derës së studios së Mehmet Shehut, kështu që vetëm disa metra të ndanin prej tij. Pra, së paku teknikisht, kjo ka qenë e mundshme. Veçse për këtë duhej të kishte kompro­metuar më përpara njërin prej dy oficerëve që mbanin çelësat e hyrjes nga garazhi për në kalimin e nëndheshëm. Dhe po ta pranojmë, duhet pranuar njëkohësisht, pashmangshëm zhdukja e mëpasme e të pak­tën njërit syresh. Dhe që të dy u dënuan me nga dhjetë vjet burg, njëri si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut në komplot dhe tjetri për çështje ordinere, por që të dy dolën gjallë nga burgu».[47]
Por kishte dhe një tunel tjetër, sekret, që Bashkim Shehu nuk e dinte në vitin 1994, kur shkrojti librin, një tunel që e dinte vetëm Mehmet Shehu, i cili tunel dilte nga bodrumi dhe të çonte drejtpërdrejt tek vila e Enver Hoxhës. A pati lidhje ky tunel sek­ret me vdekjen misterioze të Mehmet Shehut? Një logjikë të bën të besosh se ka ndodhur kështu. Kur Enver Hoxha thotë se Meh­met Shehu kishte si qëllim që të vriste Enver Hoxhën, kjo në të vërtetë duhet lexuar se Enver Hoxha nuk i la alternativë tjetër Mehmet Shehut veç të vriste Enver Hoxhën, në rast se nuk donte të ulte kokën para sëpatës së xhelatit. Në natën e 17 dhjetorit 1981 Mehmet Shehu, si mënyrën më të mirë për të vrarë Enver Hoxhën kishte atë që të përdorte dinamitin në sasi të madhe për të hedhur në erë shtëpinë e Enver Hoxhës, duke kaluar nëpër tunelet që kalonin poshtë territorit të bllokut ku banonte udhë­heqja. Këtë punë Mehmet Shehu nuk mund t’ia besonte kurrkujt veç vetes. Si një ish-revolucionar profesionist, aventu­rier, Meh­met Shehu shijonte me kënaqësi të veçantë rrezikun, çka e kishte treguar në Luftën e Spanjës dhe në Shqi­përi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mehmet Shehu nuk e kishte të vështirë të sigu­ronte dina­mit. Ai mund ta depozitonte atë diku në tunelet poshtë shtëpisë së tij. Enver Hoxha ndoshta e ka mësuar këtë gjë, por nuk e ka nda­luar, ndoshta për ta përdorur në një skenar rezervë për eliminimin e Mehmet Shehut. Pas mesnatës së 17 dhjetorit, Mehmet Shehu u nis për të zbatuar planin e vet. Në rast se plani do të kishte suk­ses, ai të nesërmen do të merrte frenat në dorë, duke arrestuar Ramiz Alinë dhe Kadri Hazbiun si konspiratorë dhe duke i akuzuar për atentatin. Atje në tunel, Mehmet Shehun e prisnin njerëzit e Enver Hoxhës që duket se e kanë paralizuar me goditje dhe e kanë marrë ta çojnë në dhomën e tij, ku e kanë qëlluar me armë, duke inskenuar vetëvrasjen.
Në romanin «Pasardhësi», Kadare rrëfen se si Prijsi (Enver Hoxha) dëgjon sekretarin t’i lexojë ato që shkruante një analist për vdekjen e Pasardhësit:
«Sipas një analisti, flitej se në mesnatë, aty te kalimi i nën­dheshëm, ishte bërë dhe takimi i fundit midis Prijsit dhe Pasar­dhësit, ku ky i fundit, pas grindjes me fjalë, kishte nxjerrë armën, por roja e Prijsit ishte treguar më i shpejtë.
Sekretari priti sa tjetri mbaroi të qeshurën, për të vazhduar. Pra, Pasardhësi ishte vrarë në qilar, për t’u kryer kështu ajo që ishte thënë se trupi i ngrirë i viktimës ngjitej nëpër shkallë i mbajtur nga dy njerëz, si të ishte një kukull dylli».[48]
Kadare nuk e shtjellon më tutje këtë hipotezë, por ajo mund të jetë një aspekt i asaj që shtjellova më lart.
Kadare shkruan në parathënien e librit të Bashkim Shehut, për atë që kam cituar më lart se të nesërmen e vdekjes së Mehmet Shehut u hapën fjalë se natën e kaluar në shtëpinë e Mehmet Shehut pati qenë Kadri Hazbiu dhe për atë se nuk ishte bërë autopsia:
«Këto dy fakte dëshmojnë qartë se Enver Hoxha qysh në fillim kishte disa skenarë rezervë për shpjegimin e vdekjes së pasardhësit të vet. Në rast se opinioni zyrtar dhe ai botëror pranon variantin zyrtar shqiptar të vetëvrasjes, ai do të mbetej tek ky variant. Në rast se dyshimi do të bëhej zotërues, do të vihej në lëvizje varianti rezervë i vrasjes. Për këtë ishin marrë masat. E para: a nuk u fol për hijen e ‘një anëtari të Byrosë Politike që hyri në mesnatë te Shehajt’? E dyta: a nuk kërkoi vetë shoku Enver shpjegime përse nuk u bë autopsia? Përfun­dimi: Kryeministri shqip­tar nuk ka vrarë veten, por e vrau një nga komplotistët (‘hija’), për të mbuluar gjurmët e komplotit. Pra thelbi mbetej (tradhtia e tij), lëvizte vetëm lëvozhga (mënyra e eliminimit). Pak kohë më pas, mjeku legalist që merrte pjesë në anketën e autopsisë më ka thënë se, për habinë e tij të madhe, ‘ajo punë u la’. Me sa dukej diktatori ishte kthyer prapë te skenari fillestar. Sidoqoftë rezervën e ‘hijes’ e la. Megjithëse trupi i kryeministrit pasi ishte çvarrosur disa net më pas, ishte shkatërruar krejt, dyshimi se mund të ngrihej ndonjë ditë çështja e autopsisë, nuk e linte të qetë Enver Hoxhën. Si arkitektët e piramidave që një pjesë të dijes e harxhonin për të gjetur mekanizmin mbyllës, ashtu dhe diktatori shqiptar i kushtonte një vëmendje të madhe mbylljes të të gjitha gjitha portave të mundshme drejt së vërtetës. Pasi hapi pëshpërimën se ‘hija’ e natës së 17 dhjetorit ishte mini­stri Kadri Hazbiu, disa muaj më pas e arrestoi edhe atë si bashkë­komplo­tist. Përpara se ta dënonte me vdekje, shpejtoi t’i bëjë një gjil­përë në gjuhë për t’i hequr mundësinë e të folurit. Pas pushka­timit të ‘hijes’ diktatori duhet ta ketë ndjerë veten disi më të qetë. Tani çfarëdolloj versionesh të ngriheshin për vdekjen e Shehut, vetëvrasje ose vrasje, ai nuk rrezikohej më. Gjithçka do të binte mbi ‘hijen’».[49]
Enver Hoxha nuk e kishte hallin aq për të fshehur fajësinë e vrasjes, sesa për të qenë në rregull me serbët dhe rusët. Enver Hoxha u ofronte këtyre një version rezervë: Mehmet Shehun e kishin vrarë konspiratorët për të fshehur gjurmët. Enver Hoxha shkruan tek tabloja sinoptike se Mehmet Shehu dhe gruaja e tij, kur planifikuan, sipas tij, vetëvrasjen si shpëtim gabuan: «Por i kishin bërë hesapet pa hanxhinë. Sapo më njoftuan për aktin e fundit të Mehmet Shehut, në moment propozova që të dënohej vetëvrasja e tij, se ai kishte vepruar si armik dhe Byroja Politike u shpreh njëzëri kundër aktit të këtij armiku».[50]
Në fakt Enver Hoxha me këtë po u bënte një ofertë serbëve dhe rusëve, për ta shpallur Mehmet Shehun si agjent të CIA-s, siç donin ata, ama ata duhet të pranonin që ai, Enver Hoxha, të shpallte zyrtarisht versionin e vetëvrasjes. Për këtë gjë duket se pati negociata të gjata. Pas të gjitha gjasave, serbët dhe rusët u kënaqën me vrasjen që bëri Enver Hoxha dhe tashmë ata ishin gati të bënin modifikime të skenarit fillestar të tyre, gjë për të cilën Enver Hoxha kishte qenë i sigurt që më parë. Rëndësi për serbët dhe rusët kishte që botës t’i thuhej me gojën e Enver Hoxhës: «karta e superagjentit të CIA-s e të UDB-së në Shqi­përi u dogj, si thotë populli, ‘për dhjamë qeni’!... UDB-ja dhe CIA mbetën me gisht në gojë!»[51]
Enver Hoxha tek tabloja sinoptike thotë më tutje: «Por as jugosllavët nuk mundën ta shfrytëzonin këtë akt në shtypin e tyre zyrtar, veç ngarkuan një gazetë të studentëve të Zagrebit të shkruante ‘dramën’ që kishte ngjarë në mbledhjen e udhëheqjes shqiptare (sipas versionit që kishte planifikuar UDB-ja). ‘Meh­met Shehu, sipas kësaj gazete, kishte qëlluar me revole me markë kineze, me këtë apo atë kalibër (!), por shokët e Enver Hoxhës e kishin vrarë atë. Fati i Enver Hoxhës nuk dihet...’»[52] 
Pse duhej që jugosllavët, në këtë rast serbët, të frenoheshin dhe të mos e jepnin lajmin e vrasjes? Kuptohet se kjo ndodhte vetëm në rast se kishte marrëveshje me Enver Hoxhën se lajmin e vrasjes do ta jepte ai. Pasi Tirana dha zyrtarisht lajmin e vetë­vrasjes, lajmi i dhënë nga gazeta e Zagrebit mund të konsidero­het si një balonë prove, e lëshuar nga shërbimi sekret jugosllav, gjë e rëndomtë kjo në raste të tilla.
Enver Hoxha, ndonëse nuk i bëri Mehmet Shehut ceremoni shtetërore solemne pas vdekjes dhe nuk shpalli zi, megjithatë për një kohë të gjatë nuk e shpalli publikisht si armik dhe agjent të spiunazheve të huaja, madje për disa muaj nuk e shpalli të tillë as para forumeve më të larta të partisë. Vetëm më tepër se dy muaj pas vdekjes së Mehmet Shehut, në 26 shkurt 1982, në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH, Enver Hoxha në fjalimin «Disiplina në ushtri - pjesë përbërëse e artit tonë ushta­rak popullor»[53]paraqit një version shumë të shkurtuar të asaj që më vonë do ta quante tablo sinoptike e komplotit të Mehmet Shehut, duke e akuzuar Mehmet Shehun si armik në shërbim të fuqive të huaja, por pa dhënë detaje.
Edhe Komiteti Qendror i PPSH, që në letër drejtonte partinë dhe shtetin, do të informohej shumë më vonë, shtator 1982. Për herë të parë, në Plenumin IV të KQ të PPSH, në 24 shtator 1982 u paraqit «Tablo sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu», ku paraqitet pothuajse gjithçka që thuhet në kapitullin e fundit të librit «Titistët».[54]
Por kjo u bë me dyer të mbyllura. Në origjinal është ky shë­nim: «Plenumi i 4-t i Komitetit Qendror të PPSH, i mbledhur në datën 24 shtator 1982, dëgjoi fjalën e Sekretarit të Parë të Komi­tetit Qendror të PPSH, shokut Enver Hoxha, ku parashtro­hej një ‘Tablo sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Meh­met Shehu’, e miratoi atë njëzëri dhe vendosi që kjo tablo të punohej në të gjitha organizatat-bazë të Partisë. Ky vendim u zbatua menjëherë dhe brenda dy-tri ditëve e gjithë Partia u njoh dhe u solidarizua plotësisht me të».[55]
Në 10 nëntor 1982, në fjalimin e vet në zonën elektorale 210 në Tiranë, që u transmetua në TV dhe u botua në shtyp, Enver Hoxha deklaroi publikisht për herë të parë për Mehmet Shehun: «Me porosi dhe sipas udhëzimeve të qendrave të huaja të spiunazhit, veçanërisht të CIA-s e të UDB-së, ai dhe grupi i komplotistëve të lidhur me të, të cilët tashmë i janë dhënë hetue­sisë, kanë punuar për të shkatërruar Partinë e pushtetin popullor dhe për ta vënë Shqipërinë nën sundimin e huaj».[56]
Enver Hoxha, edhe kur e akuzon Shehun kalimthi si agjent të KGB, nënkuptohet se atje e ka infiltruar CIA dhe Inteligent Service. Meqenëse Enver Hoxha e kuptonte se duke akuzuar SHBA për konspiracionin po dukej si njeriu i sovjetikëve, u shpreh në këtë fjalim të bujshëm: «Disa gazetarë, që shkruajnë për të marrë rryshfete, disa politikanë të kafeneve, me ‘analizat e planeve strategjike’ të tyre dhe serbomëdhenjtë, në radhë të parë, përhapin ide dhe bëjnë insinuata se në këto ose në ato koniuktura, bile në të tëra koniukturat, Shqipëria do të gëlltitet nga rusi, do të anojë nga sovjeti etj.
Ne u themi serbomëdhenjve, miqve të sigurt e të fshehtë të rusëve, se dy rrugë ka për revizionistët ruso-bullgarë që të sulmojnë Shqipërinë për të dalë në pjesën e Adratikut tonë. Njëra është rruga e Vardarit dhe e Kosovës dhe tjetra kanali i Otrantos. Në rastin e parë, pa as më të voglin dyshim, gjithë populli shqiptar që jeton në Kosovë e në vise të tjera të Jugo­sllavisë, që nga Shkupi e Kaçaniku, nga Tetova e Gostivari, nga Llapi e Plavë-Gucia, do të presin agresorët me pushkë. Zjarr do të ndizet edhe tërë Jugosllavia dhe invadorët revizionistë ruso-bullgarë, po të arrijnë në alpet tona, do të vijnë si nazistët gjer­manë kur dolën nga Stalingradi».[57]
Pasi Enver Hoxha u kishte thënë shqiptarëve të Kosovës se SHBA ishte armike e kombit shqiptar, tashmë u tregonte dhe rrezikun rus. Enver Hoxha u thoshte shqiptarëve të Kosovës se kombi shqiptar kishte dy armiq të mëdhenj, amerikanët dhe rusët, të cilët duhet t’i përballonte i vetëm. Enver Hoxha, kështu i shërbente propagandës serbe që në atë kohë dhe më vonë, por edhe sot, i terrorizonte psikologjikisht shqiptarët e Kosovës, që shpresonin tek amerikanët, me atë se tekefundit serbëve do t’u vinte në ndihmë ushtria ruse, që do t’i shfaroste krejt shqiptarët e Kosovës dhe të Jugosllavisë në përgjithësi, prandaj ata duhet të rrinin urtë dhe t’u nënshtroheshin serbëve, të cilët në atë kohë kishin nevojë për qetësi në Kosovë, se donin të merrnin në dorë frenat e federatës. Enver Hoxha u shërbeu serbëve duke i terro­rizuar shqiptarët e Kosovës me mundësinë e një sulmi rus në Kosovë, gjatë të cilit ai parashikoi se shqiptarët e Kosovës do të luftonin me rusët dhe se ushtria shqiptare në ndërkohë do t’i priste rusët në kufi, ku do të arrinin vetëm mbeturinat e ushtrisë ruse, që do të shkatërrohej nga shqiptarët e Kosovës. Enver Hoxha sigurisht që është i vetëdijshëm se po thotë një gënjeshtër të madhe dhe këtë gjë e kuptonin dhe kalamajtë e rrugës në Pri­shtinë dhe në Drenicë, se në rast se ushtria ruse mësynte nëpër Jugosllavi në vitet e tetëdhjeta dhe hynte në Kosovë, në kufirin shqiptar nuk do të arrinin mbetjet e ushtrisë ruse, por mbetjet e popullsisë shqiptare të Kosovës. Sigurisht që edhe hyrja e ushtrisë ruse në ish-Jugosllavi në atë kohë do të shkaktonte një luftë botërore dhe rusët nuk do ta bënin kurrë një gjë të tillë, aq më tepër në ato rrethana kur kishin probleme të mëdha në Azinë qendrore me luftën në Afganistan.
Dhe shikoni si shprehet Enver Hoxha: «invadorët revizio­nistë ruso-bullgarë». Pra, shqiptarët, në dy anët e kufirit, do të luftonin si stalinistë.
Në këtë fjalim të famshëm Enver Hoxha gjithashtu u shpreh:
«Në rastin e dytë, kyçin e Otrantos e kemi ne, shqiptarët. Sazani dhe Karaburuni, pa pasur frikë se them ndonjë sekret, janë shkëmbinj të veshur me hekur e beton, ku s’kalon dot flota ushtarake sovjetike».[58]
Enver Hoxha e dinte mirë se në rast se flota ushtarake detare sovjetike do të kërkonte të merrte nën kontroll Otranton, ajo do të kishte punë me flotën amerikane dhe NATO-n, çka do të çonte në një luftë botërore atomike, prandaj Enver Hoxha mund të qe i qetë se kjo gjë nuk do të ndodhte, kështu që i lejonte vetes të mburrej kot.
Pasi tha këto fjalë, Enver Hoxha u çoi këtë kumt serbëve në këtë fjalim: «Në Kongresin e 8-të të Partisë së Punës të Shqi­përisë ne e bëmë të qartë qëndrimin tonë ndaj Jugosllavisë dhe mbetemi të patundur në këtë qëndrim. Shkatërrimi dhe shpër­bërja e Jugosllavisë nuk do të vijnë kurrë nga ne. Ne jemi për stabilitetin e Federatës. Por shovinistëve serbomëdhenj maqe­do­nas e malazez nga një vesh u hyn dhe nga një vesh u del fjala jonë pajtuese».[59]
E ku kishte provë më të qartë të sinqeritetit të Enver Hoxhës se fakti që ai nxirrte agjent të CIA nr. 2 të regjimit, në një kohë që ishin SHBA që dukej qartë se kërkonin shpërbërjen e Jugo­sllavisë!
Enver Hoxha, në tablonë sinoptike, kërkon t’ua atribuojë shqiptarëve të Kosovës, që u ngritën në demonstrata në 1981, nderin e dyshimtë se bënë që të zbulohet konspiracioni i CIA kundër Shqipërisë:
«Shqipëria ka mbështetur kurdoherë Kosovën e popullsinë e viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, për të drejtat e tyre legji­time, por Kosova, gjithë shqiptarët, që u ngritën në demon­strata, nuk e dinë se ç’ndihmë kolosale i kanë dhënë edhe ata Shqipë­risë, duke shtrënguar UDB-në jugosllave të digjte kartën e ‘shpre­sës së madhe’ dhe të fundit për të përmbysur udhëheqjen mark­siste-leniniste në Shqipëri, e cila e kishte demaskuar vazhdi­misht dhe po e demaskonte këmba-këmbës tradhtinë titiste, vetadminis­trimin, mosangazhimin, këtë agjenturë të ndyrë të imperializmit amerikan, anglez, të reaksionit ndërkombëtar, të socialdemokra­cisë, e kujt të duash».[60]
Pra, sipas Enver Hoxhës, armiqtë e shqiptarëve të Kosovës qenë SHBA dhe Britania e Madhe veç Titos dhe titoistëve, pra linjës properëndimore në komunizmin jugosllav. Është e qartë se Enver Hoxha këtu kërkon të kultivojë antiamerikanizmin tek shqiptarët e Kosovës.
Po në Plenumin VII, në shtator 1983, Enver Hoxha thotë:
«Në kohën e turbullirave në Kosovë, CIA dhe UDB-ja mba­heshin në korent nga Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu për të gjitha reagimet e udhëheqjes sonë».[61]
Shikoni se si Enver Hoxha tradhton veten të ketë pikë­pamjen serbe për ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, duke i quajtur «turbu­llira»! Për serbët sigurisht që ato që ndodhën në Kosovë në 1981 ishin turbullira, por duket se ato e turbulluan edhe Enver Hoxhën!
Të ashtuquajturit komplot të Mehmet Shehut, Enver Hoxha do t’i rikthehej dhe në Plenumin VII të Komitetit Qendror të PPSH, në shtator 1983, në një fjalim të publikuar në kohën që u mbajt. Në këtë fjalim Enver Hoxha bën përmbledhjen e asgjë­simit të «komplotit», dhe ku paraqet teorinë se komploti ishte pjesë e një plani për një agresion ushtarak amerikan ndaj Shqi­përisë komuniste, që filloi të zbatohet edhe nga flota ushtarake amerikane. Enver Hoxha thotë në shtator 1983:
«CIA, UDB dhe udhëheqja titiste ndiqnin me ankth këto që po ndodhnin. U iku gjendja nga duart. Derisa ne morëm masa kun­dër Fiqret Shehut, edhe pozitat e grupit të Kadri Hazbiut ishin të rrezikuara. Ai nuk do të duronte dot gjatë. Atëherë CIA dhe UDB-ja luajtën kartën tjetër për të shpëtuar ç’mund të shpëtohej dhe të ndryshohej situata në Shqipëri. Duhej t’u vinin në ndihmë agjentëve të tyre që mbetën, me Kadri Hazbiun në krye.
Me një shpejtësi të madhe UDB-ja nisi për në Shqipëri gru­pin terrorist të Xhevdet Mustafës për të vendosur lidhje me Kadri Hazbiun e me të tjerë agjentë dhe për të kryer atë atentat që nuk e kreu dot Mehmet Shehu. Ne ishim në dijeni të planeve për hedhjen e bandës së Xhevdet Mustafës e jo vetëm të atij, por edhe të komandove të tjera, të bajraktarëve në emigracion, veçse në këtë kohë në krye të Ministrisë së Brendshme kishim shokun Hekuran Isai. Por nuk dinim saktë kohën dhe pikat e zbarkimit. Në këto plane bën pjesë edhe organizimi nga CIA i një incidenti me nëndetëse amerikane që do të hynte në Gjirin e Vlorës, e cila natyrisht do të bombardohej nga ne dhe kështu do t’i jepej shkas flotës amerikane nga jashtë t’i afrohej bregdetit shqiptar për ta bllokuar këtë, dhe nga brenda Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu të merrnin në dorë drejtimin e operacioneve gjoja për mbrojtje, por, në fakt, për të marrë në duart e tyre krejt push­tetin. Përgatitja e këtyre incidenteve politiko-ushtarake, e koman­dove terroriste, si dhe zbarkimi i Xhevdet Mustafës, nuk ishin të rastit, ato përgatiteshin me kohë jashtë nga CIA e UDB-ja, të cilat dërgonin edhe njerëz brenda, dhe për to ishin në dijeni edhe Mehmet Shehu, edhe Kadri Hazbiu, por ata s’e dinin që ishim edhe ne në dijeni. Ne tani dimë plotësisht ku do të drej­toheshin pjesëtarët e bandës së Xhevdet Mustafës, ku do të drejto­­heshin komandot e tjera, ç’do të bënin ata para dhe pas aten­tatit, po t’ia arrinin qëllimit. Por qëllimit nuk ia arritën dot».[62]
Në këtë fjalim, që u publikua në shtyp, Enver Hoxha i thoshte botës atë që donin të dëgjonin serbët dhe rusët, pra se SHBA kishin qenë të përgatitura që në bashkëpunim me kom­plotistët të sulmonin ushtarakisht Shqipërinë. Kështu Enver Hoxha iu rikthye skenarit të vjetër të atij që u quajt komploti i Teme Sejkos, i vitit 1960, sipas të cilit u pretendua se Flota VI amerikane do të sulmonte Shqipërinë në bashkëpunim me kom­plotistët. Sigurisht që SHBA nuk kishin asnjë plan për të sul­muar Shqipërinë, as në 1982, as në 1981 dhe as në 1960. Të dy blloqet ishin marrë vesh se në Europë do të sundonte status quo.
Një linjë tjetër në romanin «Pasardhësi» është ajo e elimini­mit të ish-ministrit të brendshëm, Adrian Hasobeut (Kadri Hazbiu), për të cilin Kadare tek parathënia e librit të Bashkim Shehut thotë se u përfol si vrasës i Mehmet Shehut. Ismail Kadare, në romanin «Pasardhësi» e përshkruan gjerësisht periu­dhën pas vdekjes së Pasardhësit, duke u përqendruar tek fati i atij që në roman paraqitet si pasardhësi i Pasardhësit, Adrian Hasobeu (Kadri Hazbiu). Ismail Kadare në roman i paraqet gjë­rat sikur në një moment Prijsi kishte ndërmend që ta shpallte martir Pasardhësin e vrarë, të cilin ende nuk e kishte shpallur tradhtar, ndërsa Hasobeun ta paraqiste si vrasësin tradhtar. Në realitet Enver Hoxha, edhe vonoi gjatë para se ta shpallte Meh­met Shehun tradhtar, megjithatë nuk ka pasur kurrë ndërmend që ta shpallë martir, që ishte vrarë nga konspiratorët. Të thuash këtë, do të thotë të mos kuptosh arsyet për të cilat Enver Hoxha e vrau Mehmet Shehun, dhe që ishin për të plotësuar kërkesën e serbëve dhe rusëve, që të inskenohej një konspiracion amerikan kundër interesave të kombit shqiptar, në dy anët e kufirit.
Kadare shkruan në romanin «Pasardhësi»:
«Adrian Hasobeu e dinte se emri i tij ishte në gojë të të gji­thëve. Por, ndërsa më parë ajo përfolje ia nxirrte gjumin, tani bënte të kundërtën. Gjithçka kishte ndryshuar brenda një grime kohe, një çasti të shkurtër sa një shkreptimë, kur Prijsi, pas mëdyshjes së gjatë atë pranverë të zezë për Adrian Hasobeun, e kishte shpallur, më në fund, Pasardhësin, tradhtar».[63]
Ismail Kadare në roman nuk arrin ta shpjegojë përsenë e këtyre veprimeve të Prijsit, edhe pse romani është shumë pre­tendues, duke qenë se atje personazhe janë dhe analistë të shër­bimeve të huaja sekrete, që analizojnë atë që ndodh në Shqipëri. Enver Hoxha, pas vdekjes së Mehmet Shehut, kishte dy prob­leme. I pari ishte se a do t’ia pranonin serbët dhe rusët versionin e vetëvrasjes, dhe nëse jo ai kishte rezervë versionin e vrasjes së Mehmet Shehut nga konspiratori tjetër, Kadri Hazbiu, për të fshehur gjurmët e zbulimit të konspiracionit. Enver Hoxha shpre­sonte se serbët dhe rusët do të ishin të kënaqur me këtë gjë. Problemi i dytë i Enver Hoxhës ishte se, edhe pse ai e deklaroi publikisht vdekjen e Mehmet Shehut si vetëvrasje, ai mendoi që të manipulojë edhe ata që do ta shpjegonin ngjarjen si vrasje, duke gjetur një alibi edhe këtu, dhe duke ia ngarkuar vrasjen dikujt tjetër. Dhe për të krijuar këtë alibi ai i solli gjërat në atë mënyrë që, jo vetëm të krijohej përshtypja sikur vrasësi ishte Kadri Hazbiu.
Prandaj, në mars 1982, tre muaj pas vdekjes së Mehmet She­hut, Enver Hoxha filloi të luajë prapë me versionin e vras­jes. Por Kadare në roman e interpreton gabimisht këtë gjë, sikur Enver Hoxha donte të rehabilitonte Mehmet Shehun. Kadare shkruan në roman, duke e pasur fjalën për Hasobeun:
«E keqja e vërtetë kishte nisur në mars, bashkë me lajmin për autopsinë. Thikat dhe pincat që copëtonin trupin e të vrarit, do t’i dhimbnin më pak se dromcat e hamendjeve që dëgjohe­shin andej-këndej. Autopsia bëhej, ngaqë dyshohej për diçka. Përfundimi i saj mund të kthente gjithçka kryengulthi. I gdhirë befas martir, Pasardhësi mund ta dërgonte në humnerë».[64]
Madje Kadare insiston tek skenari i rehabilitimit:
«Megjithatë, midis mjegullnajës spikatnin shenjat e një rishi­kimi e ndoshta rehabilitimi, të figurës së Pasardhësit. Një auto­psi e bërë me vonesë, një rishqyrtim i rrethanave të vdekjes, shoqëruar këto me thashetheme që kishte gjasë të ishin, në mos të sajuara, të lejuara, si për shembull ajo e ‘hijes’ që kishte hyrë natën në shtëpi, e dy njerëzve që ishin parë prej një shërbyeseje, duke zbritur në qilar me Pasardhësin, ose kufomën e tij, të mbajtur për krahu etj., etj.
Në rast se ky hetim i ri synonte drejt pranimit të hamendjes së vrasjes, kishte gjasë që Pasardhësi të përfundonte si martir i revolucionit, i vrarë nga një grup përbetarësh, dukuri e njohur kjo në vendet komuniste».[65]
Madje, Ismail Kadare e bën fakt të kryer tendencën për reha­bilitim të Pasardhësit (Mehmet Shehut), kur në roman, para elimini­mit të Hasobeut, rrëfehet se si Prijsi lexon një letër të Hasobeut:
«Hasobeu ankohej se përse vazhdonte ftohtësia ndaj tij, tani që gjërat ishin sqaruar. Më parë, sa kohë që dyshohej se Pas­ardhësi mund të ishte martir dhe i vrarë nga dora e dikujt, mos­besimi ndaj tij, Hasobeut, mund të përligjej. Por tani që dihej se tjetri ishte tradhtar dhe i kishte dhënë fund jetës me dorën e vet, ç’hynin këtu dyshimet për të».[66]
Por, Enver Hoxhës nuk mund t’i shkonte për asnjë moment ndërmend që të rehabilitonte Mehmet Shehun, duke konsideruar se përse e eliminoi atë, siç kam shpjeguar më lart. Është e çudit­shme se Ismail Kadare në roman, i paraqet gjërat se edhe dy ditë para plenumit ku u dënua Hasobeu (Kadri Hazbiu), Prijsi ende nuk ishte i sigurt nëse Pasardhësin e eliminuar duhej ta paraqiste si martir, tradhtar, apo të vetëvrarë.
Kjo kuptohet se në romanin e Kadaresë letrën e mësipërme Hasobeu (Kadri Hazbiu) e shkruan dy ditë para plenumit të Komitetit Qendror të partisë, ku do të shkarkohej nga postet dhe arrestohej. Prijsi thotë: «Shkruaj, i tha prapë sekretarit. Drejtoji një letër të shkurtër nga ana jote, në emrin tim: Të gjitha ato që di, le t’i thotë pasnesër në mbledhjen e Komitetit Qendror. Le të zbrazet deri në fund!»[67]
Ky plenum u zhvillua në vjeshtën e vitit 1982. Atëherë Enver Hoxha nuk kishte asnjë dilemë për atë se si duhej ta para­qiste Mehmet Shehun, madje edhe eliminimin e Kadri Hazbiut e bëri, përveçse për të siguruar pushtetin e pasardhësit të tij (Hoxhës), Ramiz Alisë, për të potencuar akuzat e tij për Meh­met Shehun.
Kadare në roman e bën Prijsin të shprehet:
«Shkruaj, i tha sekretarit. Hasobeu harron se ka dhe një shpje­gim të tretë, që mund të jetë, siç thuhet, e treta, e vërteta. Martir apo tradhtar, i vrarë apo i vetëvrarë, Hasobeu s’përjash­tohet të ketë gisht. Është vërtitur natën si hienë rrotull shtëpisë së vik­timës. Ka dashur të vrasë e nuk ka arritur dot, ka dashur ta shtyjë në vetëvrasje e tjetri s’ka patur nevojë për shtysë, ka futur, ose jo vrasës brenda shtëpisë, këto e të tjera si këto, nuk ndryshojnë asgjë në thelbin e çështjes. Është histori e zakon­shme komplo­tistësh, kur përbetarët nguten të zhdukin kreun e përbetimit kur nuhatin rrezikun. Kjo dihej tashmë».[68]
Pra, Kadare i paraqet gjërat sikur për Prijsin (Enver Hoxhën) më tepër kishte rëndësi eliminimi i Pasardhësit (Mehmet She­hut) dhe Hasobeut (Kadri Hazbiut) dhe mënyra se si do të justi­fikohej kjo ishte një çështje dytësore. Kur e vërteta siç kam treguar më lart nuk ka qenë kështu. Për Enver Hoxhën kishte shumë rëndësi që (vetë)eliminimi i Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut të shpjegohej ashtu siç u shpjegua prej tij, se këtë gjë ia kërkonin serbët dhe rusët. Ismail Kadare në roman paraqet eli­minimin e Adrian Hasobeut, por pa na treguar motivet se përse Prijsi e bën këtë gjë.
Kadare, në roman, pasi tregon eliminimin e Hasobeut, kthe­het pas në kohë, në natën e vrasjes së Pasardhësit dhe ditët fill pas saj, për të rrëfyer marrëdhënien e Hasobeut me Prijsin, natën e vrasjes. Për një moment duket sikur në roman do të dalë se vrasësi i Pasardhësit është Adrian Hasobeu. Në roman, natën e vdekjes së Pasardhësit, Prijsi (Enver Hoxha) e thërret në shtë­pi Hasobeun në mbrëmje:
«Ajo që i kërkonte s’ishte fort e qartë. Sa më tepër që Adrian Hasobeu rrekej të përqendrohej, aq më shumë i shpëtonte. Duhej të shkonte andej nga shtëpia e tjetrit. Të përpiqej të merr­te vesh ç’ndodhte... Vetëm ti mund ta bësh.
Nga sytë e errët ngjyrë kafe nuk vinte asnjë ndihmë. Ishte moskuptimi i pafund i verbërisë dhe asgjë tjetër. Dy herë i qe du­kur se do t’i jepte diçka, çelësat e kalimit të nëndheshëm ndo­shta, nëse kishte vërtet një kalim të tillë! Por asgjë s’kishte ndodhur. As çelësa, as sqarim të mëtejshëm. Vazhdonte t’i thoshte po ato fjalë: vetëm ty të besoj! Dhe pastaj, fjalët e tjera, të përsëritura: duhej të shkonte në mesnatë, me këmbë, dhe rojet kur ta njihnin, të mos shqetësohej, ishte ministër, ishte e natyr­shme të mbikë­qyrte në mesnatë rojet... gjithçka... dhe pastaj, të kthehej, ai do ta pri­ste... me padurim...
Pa guxuar ta ndërpriste Adrian Hasobeu, pas fjalëve ‘nisu tani’ ishte larguar. Kishte pritur afrimin e mesnatës në shtëpi, pastaj kishte dalë i vetëm më këmbë, mbështjellë me mushama të zezë, nga një derë anësore. Nata ishte e zezë, me shi, me shkre­ptima, natë e veçantë krejt, ndryshe as mund të mendohej një natë e midistë, përmes së cilës ai ecte si nëpër një gjumë të keq.
  
Që nga larg kishte dalluar dritaren e dhomës së gjumit të Pas­­ardhësit. Ishte e vetmja që kishte dritë nga ana e ballinës. Rojat, kur kishte ulur kokoren, e kishin njohur. Si në ethe i kishte ardhur rrotull ndërtesës, duke ia ngulur sytë çdo porte, thua se ende kishte shpresë se njëra do të hapej...
  
Pak kohë më pas, ndodhej prapë përpara zyrës së Prijsit. E priste vërtet, madje kishte bërë një hap për t’i dalë përpara.
  
 ‘E bëre?’, kishte pyetur, pa e fshehur padurimin.
  
Adrian Hasobeu i kishte thënë ‘po’ me krye.
  
Tjetri i vështronte duart, si të kërkonte në to njollat e gjakut. Kaq i përqendruar ishte ai vështrim, saqë Hasobeu deshi t’i fshihte.
  
Portat ishin të mbyllura nga brenda.
Nuk ishte i sigurt, nëse ia kishte thënë vërtet ato fjalë. Tjetri kishte thënë: tani mund të fle i qetë.
Në rrugë shiu kishte dendësuar. Adrian Hasobeu kujtonte se ecte drejt shtëpisë, ndërsa këmbët po e çonin tjetërkund. Kur kishte dalluar prapë që larg dritaren e Pasardhësit, e kishte kup­tuar. Kishte nxjerrë revolverin nga xhepi i mushamasë dhe i kishte vënë heshtuesin».[69]
Këtu duket sikur Adrian Hasobeu (Kadri Hazbiu) është nisur të bëjë vrasjen. Por më pas gjërat mjegullohen, kur autori rrëfen për gjetjen e trupit të Pasardhësit në mëngjes:
«Në mëngjes herët, të katër telefonët e shtëpisë binin si të marrë. Kur kishte mbërritur te shtëpia e Pasardhësit, prokurori i përgjithshëm ishte ndërkaq aty. Fjalët ‘kush e ka lëvizur tru­pin?’, i kishte gëlltitur aty për aty, nën sytë e çakërritur, të fryrë nga pa­gjumësia të vejushës. Desha të them, a e ka lëvizur kush trupin?
E kishte menduar aq me përqendrim gjithçka, saqë pamja e trupit të ftohur të Pasardhësit, i dukej tani e njohur».[70]
Pastaj, edhe më tepër, duket qartë se autori është i prirur që ta shkarkojë vrasjen nga Adrian Hasobeu (Kadri Hazbiu):
«Në mbledhjen e Byrosë Politike, që kishte filluar një orë më pas, më kot ishte përpjekur të ndeshte sytë e Prijsit. Ç’men­donte, vallë, se kishte ndodhur?... Mendonte vallë Prijsi, ashtu si gjysma e Tiranës, që Hasobeu ishte vrasësi? Që kishte patur ndërmend ta vriste, por s’kishte mundur, ngaqë dikush tjetër ishte treguar më i shpejtë? Që vetë Pasardhësi ishte treguar më i shpejtë se të dy dhe e kishte kryer vetë atë punë? Ç’nuk do të jepte për të ditur, qoftë edhe gjysmën e dyshimeve të tjet­rit».[71]
Është e dukshme se Kadare bën shumë përpjekje për ta lar­guar autorësinë e vrasjes nga Hasobeu:
«Herë-herë hamendjet, si stërqoka të trembura largoheshin vetë dhe, në vend të tyre, midis shkretisë, mbetej veç njëra: mos duhej zhdukur, ngaqë dinte shumë gjëra? Kishte qenë dyshimi i par, i thjeshtë si një gur, por që Adrian Hasobeu s’e kishte patur të vështirë ta largonte, pikërisht ngaqë ishte i tillë. Ishte tepër i rëndomtë e sidomos, tepër i njohur për t’u për­dorur prej Prijsi.
Jo thoshte me vete i lodhur, pa e patur të qartë as vetë se ç’ishte ai mospranim. Dyshonte ndoshta, se vrasjen e kishte kryer ai, aq më tepër, nëqoftëse e kishte marrë vesh atë vajtjen e tij të dytë te shtëpia. Në mos për vrasjen, dyshonte ndoshta se e kishte shtyrë të vriste veten. Se kishte arritur t’ia mbushte mendjen. Se nuk kishte arritur aspak... Lëmshi niste të shpësh­tillej nga e para dhe ai vetë nuk ishte më në gjendje të kuptonte, çka ishte e vërtetë e çka jo, në atë gramshalesh».[72]
Më në fund, në këtë bisedë të Adrian Hasobeut, me gruan e tij, autori e çliron atë përfundimisht nga përgjegjësia për vras­jen:
«Zëri i tij, nga i ulët, gati-gati në të shuar, u bë befas i ngjirur, çnjerëzor. Ti do të dish ç’bëra atje? Asgjë. E more vesh tani? Portat ishin të mbyllura nga brenda...
Ato që Ai më tha në mesnatë, ishin aq të turbullta. Dhe ato që më tha më pas, kur u ktheva, ishin edhe më të errëta. Thua se ishte në gjumë.
Kjo është gjëmë e zezë, tha gruaja. Ai në gjumë, e u ka në dorë të gjithëve! Ju të zgjuar dhe nuk e dalloni dot asgjë!
Ai deshi t’i thoshte: kjo, me sa dukej, ishte e fshehta e tij: t’i sundonte si në gjumë».[73]
Shkarkimin e Adrian Hasobeut nga përgjegjësia për vrasjen, Kadare e bën se ai kërkon të shkarkojë Prijsin (Enver Hoxhën) nga përgjegjësia për vrasjen dhe për terrorin që pasoi atë. Kadare e bën Prijsin të meditojë kështu pas vdekjes së Pasardhësit:
«Zbulimi që kishte bërë kohët e fundit, se të dije të fshehtat rrotull teje, ishte padyshim një mrekulli, por të mos dije, ishte shpesh një mrekulli edhe më e madhe, i dukej qetësues. Verbë­ria, me sa dukej, e kishte çuar tek kjo e vërtetë.
Nuk kishte ditur asnjëherë ç’kishte ndodhur te shtëpia e Pas­ardhësit, natën duke u gdhirë 14 dhjetor. E përderisa ai vetë s’e dinte, një mijë vjet të kalonin, s’do ta merrte vesh njeri».[74]
Pas vitit 1990 filloi të qarkullojë një legjendë e nxitur nga enveristët, se Enver Hoxha me kalimin e moshës, për shkak të sëmundjeve, erdhi duke i humbur aftësitë mendore dhe fizike dhe se përgjegjës për ato që ndodhën kanë qenë Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia. Madje, Nexhmije Hoxhës i ngarkohet përgje­gjësia edhe për shumë veprime mizore të Enver Hoxhës, që nga ardhja e tij në pushtet. Për krijimin e kësaj legjende ka kontri­buar edhe Ismail Kadare, i cili në parathënien e librit të Fahri Balliut «Zonja e zezë Nexhmije Hoxha», që përpiqet të vërte­tojë pikërisht këtë teori, shkruan:
  
«Kur vite të shkuara kam lexuar për herë të parë Marie-Antua­netën të Stefan Cvajgut, në mendjen time u ngulit dyshi­mi se, për shkaqe të ndryshme, ndër të cilat kryesori është pady­shim konformizmi, njerëzit kanë prirje t’u veshin grave të tiranëve ato vese, madje ato krime, për të cilat duhet të përgji­gjeshin në radhë të parë, vetë tiranët. Janë të njohura kli­shetë ‘ai’ (dome­thënë tirani) është i mirë, por ç’e do, janë vartësit që i ngatë­rrojnë gjërat. Nuk është ‘ai’ që i bëri këto, por ata që ka përreth, e sidomos ‘ajo’... (domethënë e shoqja) etj. etj. E kështu me ra­dhë duke ardhur gjer te maksima e neve­ritshme: ujët rrjedh lart i kulluar, por turbullohet poshtë. Më është dukur gjith­monë se kjo është një alibi burracake e atyre që, më lak­mue­shëm se kushdo, mëtojnë burrërinë: pra alibinë e burrave. Në regjimet diktatoriale, sidomos në ato fashiste e komuniste, për­masat e kësaj alibie, thënë ndryshe e këtij zhbu­rrërimi, bëhen kolosale. Saga e keqe e komunizmit jep motër­zimin e saj edhe në raportet burrë-grua, kur është fjala për një çift tiranësh... Në galerinë e errët Gadishulli ynë ballkanik ka dy modele: Elena Çausheskun e rumunëve dhe Nexhmije Hoxhën e shqiptarëve. E para u bë sim­bol i injorancës e i meskinitetit, e dashuruar pas titujve shken­corë të cilët, sa më shumë i shto­heshin, aq më qesharake e bënin. E dyta u shqua për mendje­ngushtësinë dhe egërsinë e pashoqe, çka bëri që populli shqiptar t’i vinte nofkën ‘Panterë e zezë’. Ndërsa nuk mbahet mend asnjë rast që të ketë luajtur edhe më të voglin rol zbutës në tra­gje­dinë shqiptare, dihen, përkundrazi, raste të shumta kur është treguar edhe më e egër se i shoqi».[75]
Teoria se Nexhmije Hoxha ka qenë diktatorja e vërtetë e Shqi­përisë ka qenë edhe një përpjekje diabolike e racistëve toskë, për t’ia atribuar të këqijat e diktaturës një gege, dibranes Nexh­mije Hoxha. Kjo del dhe në romanin «Vajza e Agamem­nonit», ku personazhi kryesor tregon për një njeri që fliste kundër regjimit:
«S’kishte kursyer askënd, as vetë Udhëheqësin, por sidomos të shoqen e tij, që e kishte quajtur frymëzuesen krye­sore të krimeve, një Ledi Makbeth të vërtetë, veçse një Ledi Makbeth maloke, Çian Çin i Shqipërisë, etj., etj.»[76]
Sigurisht që asgjë të vërtetë nuk ka në këtë teori. Diktatori real dhe përgjegjës për krimet ishte Enver Hoxha, i cili kur ishte fjala për të inskenuar terrorin, e ka pasur mendjen në rregull, siç tregojnë dhe pamjet e filmuara. Edhe në rastin e vdekjes së Meh­met Shehut, ka qarkulluar një fjalë se Mehmet Shehun e vrau e shoqja e tij, Fiqreti, e nxitur nga shoqja e saj e vjetër, Nexhmije Hoxha. Praktikisht këtë version shtjellon Kadare tek romani «Pasardhësi».
Në roman Kadare e bën të meditojë kështu Prijsin (Enver Hoxhën):
«Përveç të vdekurit, kishin qenë, me sa dukej, dy të tjerë që ishin përzier në atë histori. Dhe askush s’do ta merrte vesh kurrë si ishin bërë lëmsh nëpër terr, si ishin fërkuar, shtyrë, kërcënuar, gjersa kishte rënë heshtja. Ishte dëgjuar vetëm një zë, ai i Haso­beut, gjysmë britme, gjysmë rënkim: portat ishin të mbyllura nga brenda!
Ministër i brendshëm dhe nuk e paskësh ditur se në vrasjet e mëdha, portat mbylleshin gjithmonë nga brenda!»[77]
Derisa portat ishin të mbyllura nga brenda, atëherë vrasësit ishin brenda në shtëpi! Për një moment duket sikur Kadare do t’i paraqesë gjërat sikur vrasësit u futën nga jashtë shtëpisë, nëpër­mjet tune­lit sekret, çka do të thotë se vrasja i mbetej në ngar­kim Prijsit (Enver Hoxhës). Në roman, Kadare, për një moment të krijon përshtypjen sikur nga rrëfimi do të dalë se vrasësit kanë hyrë nga tuneli. Ministri i brendshëm, duke vizituar shtëpinë e Pas­ardhësit pas vdekjes së tij, e pyet arkitektin për kalimet nën­tokë­sore tek shtëpia e Pasardhësit, duke dashur të dijë nëse arki­tekti është në dijeni të tunelit sekret që lidh shtëpitë e dy lide­rëve. Kur arkitekti ia mohon ekzistencën e tunelit, ministri e fton të shkojnë bashkë ta shohin, për të hetuar nëse e dinte arki­tekti tunelin sekret që lidhte shtëpinë e Pasardhësit dhe atë të Prij­sit, derën e të cilit tashmë e kishin zënë me një mur:
«Tani mendja shkon menjëherë te e keqja: kalimi i nëndhe­shëm që bashkon dy shtëpitë. Vrasësit, që mund të kenë kaluar nëpër të. U-pu-pu! Gjëmë e stërgjëmë».[78]
Autori për një moment e fuqizon këtë version të ngjarjes, duke shkruar: «ajo derë hapej vetëm nga një kah, nga ana e Pri­j­sit. Andej duhej të ishin shulat, kurse këndej nga ana e Pasar­dhësit, s’kishte asgjë... Prijsi, njerëzit e tij, mund të hynin kur të donin në shtëpinë e Pasardhësit. Ndaj të gdhirë, në mes­natë. Kurse, Pasardhësi, jo. Dhe jo vetëm kaq: ai s’mund ta mby­llte derën nga brenda. S’duhej. S’kishte të drejtë. Kështu, me sa dukej, ishte bërë marrëveshja midis tyre».[79]
Siç kam thënë më lart, edhe pse Enver Hoxha e deklaroi pub­likisht vdekjen e Mehmet Shehut si vetëvrasje, ai mendoi që të manipulojë edhe ata që do ta shpjegonin ngjarjen si vrasje, duke gjetur një alibi edhe këtu, dhe duke ia ngarkuar vrasjen dikujt tjetër. Dhe për të krijuar këtë alibi ai i solli gjërat në atë mënyrë që, jo vetëm të krijohej përshtypja sikur vrasësi ishte Kadri Hazbiu, por edhe që të krijohej përshtypja se vrasësja ishte gruaja e Mehmet Shehut, e nxitur nga Nexhmije Hoxha. Enver Hoxha, në thellësi të shpirtit, e urrente bashkëshorten «maloke», me të cilën ishte martuar për arsye politike, me propozim të emisarëve jugosllavë, që kombinonin martesën e liderit tosk me një grua gege, për t’i bërë kumtet e Enver Hoxhës më të besue­shme tek shqiptarët e përtej kufirit. Prandaj Enver Hoxha do të ishte i kënaqur sikur ajo të dilte në histori si «Lady Macbeth» e tij. Kjo ishte hakmarrja e tij ndaj bashkëshortes. Kështu që Enver Hoxha i solli gjërat në atë mënyrë që të dyshohej sikur Mehmet Shehun mund ta kishte vrarë e shoqja, Fiqreti. Siç e kam cituar më lart, Enver Hoxha tek tabloja sinoptike thotë se ishte gruaja e tij, që e nxiti Mehmet Shehun të vriste veten. Pra, Enver Hoxhathotë përgjysëm se ishte ajo që e vrau të shoqin!
Ismail Kadare në roman, pasi i ka përjashtuar të gjitha ver­sionet e tjera, pra që vrasësi të ketë qenë Hasobeu, ose që vra­sësit e çuar nga Prijsi të kenë hyrë nga tuneli sekret («portat qenë të mbyllura nga brenda» thuhet, duke u nënkuptuar portat e brendshme të shtëpisë, që nga ajo e e qilarit, veç asaj të tune­lit), fillon ta shtjellojë atë që është versioni i tij si autor, që Pas­ardhësi është vrarë nga e shoqja dhe për këtë shkon kah Islanda: «sipas mendimit të mediumit nga Islanda, kishte gjasë që në ngjarjen e errët të natës së 13 dhjetorit, një njeri i brendshëm i shtëpisë të ishte përzier».[80]
Që një nga njerëzit e brendshëm është e shoqja e Pasardhë­sit, për këtë Kadare i ka parapërgatitur lexuesit, kur tregon se si një plakë që viziton familjen e Pasardhësit u thotë atyre që të jenë të gatshëm për ballafaqimin me të vdekurin, veçanërisht e shoqja:
«Ti, ime shoqe, që tre muaj rresht s’vije gjumë në sy, si re në atë gjumë plumb, pikërisht natën e 13 dhjetorit? Kjo do të jetë me siguri pyetja e tij. Dhe unë e kam vështirë ta marr me mend përgjigjen e saj. Me ç’barna gjumi do të përligjet? Me ç’receta mjeku?»[81]
Në kapitullin e fundit të romanit Kadare e nxjerr vetë Pasar­dhësin si dëshmitar që të tregojë se ç’ndodhi natën e vdekjes në dhomën e tij të gjumit. Ajo që tregon ai është versioni «Klitem­nestra»:
«I shtrirë në shtrat prisja të më kapullonte gjumi, ndërsa ime shoqe sillte një tjetër gotë me kamomil. Herë-herë i afrohej dri­tares, si njeriu që kërkon të dallojë diçka në terr. Me mendjen time, gjysmë i fjetur, isha ndërkaq në sallën e mbledhjes, në mëngjesin e nesërm, duke iu përgjigjur të njëjtave pyetje».[82]
Kjo është si tek thashethemi i përhapur, me sa duket nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit, se Fiqrete Shehu atë ditë priste një shenjë nga jashtë shtëpisë, ndoshta nga shtëpia e Enver Hoxhës, që ishte vetëm pak metra më larg në anën tjetër të rrugës, një shenjë nga Nexhmije Hoxha për ta vrarë Mehmet Shehun.
Kadare e bën Pasardhësin të tregojë:
«Ime shoqe i ishte afruar dritares dhe unë desha t’i them: ç’kër­­kon ashtu me sy? Përjashta kishte vetëm terr dhe asnjë shpresë kurrkund. Nuk arrita t’ia them ngaqë gjumi po më kaplonte ndërkaq. Një farë dremitjeje e keqe, në trajtë flokësh dëbore, mes të cilave mezi e dalloja të fejuarën time të parë, atë parti­zane, e përbri saj rojën time, ashtu si dyzet vjet më parë, në male, kur i tretur ethesh e i rrethuar prej ballistëve, iu lutesha të dyve, asaj dhe rojes, të më vrisnin. Vritmëni, u thosha, mos më lini në dorë të tyre... Ata vështronin të ngrirë. Nga ethet më bëheshin si hije, herë ndaheshin në tre, e herë bëheshin njësh, për të sajuar një krijesë të frikshme, gjysmë burrë, gjysmë grua.
Kur ime shoqe, si u shkëput nga dritarja, po afrohej, ashtu më shëmbëlleu, si e fejuara e parë, me të cilën s’u martova dot. Dhe bashkë me të, ashtu si dyzet vjet më parë, ishte roja i dikur­shëm partizan... U afruan heshturazi të dy, pastaj roja mbeti pas dhe ishte vetëm ajo, fare e mjegullt, por prapë e dyzuar, e fejuar dhe grua bashkë, do të thoshje një dygrua, që, në vend të gotës së kamomilit, po më drejtonte tytën e zezë të revolverit. Ishte pa tmerr gjithçka, madje me vete thashë: u dashkësh shkuar dyzet vjet për të më dëgjuar lutjen! Vramë, mendova prapë, ashtu si atëherë, mos më lër në dorë të tyre! Dhe befas, gjithçka u bë zbrazëti».[83]
Merret vesh, Kadare kërkon të thotë se Fiqrete Shehu e bëri vrasjen e burrit e nxitur nga Nexhmije Hoxha. Kështu, pjesa e dytë e diptikut do të meritonte të quhej «Klitemnestra», sipas emrit të gruas së Agamemnonit, derisa pjesa e parë e diptikut u quajt «Vajza e Agamemnonit». A e vrau me të vërtetë Mehmet Shehun gruaja e tij?
Bashkim Shehu në librin e vet me kujtime shkruan:
«Mirëpo është për t’u vënë gjithashtu në dukje se asnjëri prej nesh, që u ndodhëm në shtëpi nuk ka dëgjuar gjatë asaj nate kurrfarë krisme. Madje as nëna, e cila flinte në një dhomë pranë asaj të babait. Po ndoshta ka qenë mbidoza e valiumit që e ka zhytur në një gjumë të thellë dhe kështu kurrgjë nuk mund të dëgjonte. Dhe mbidozën e valiumit ia ka këshilluar Mehmeti, dhe me njëfarë këmbënguljeje».[84]
Ismail Kadare e njihte këtë dëshmi të Bashkim Shehut, të botuar në librin parathënien e të cilit e ka bërë Kadare. Pra, nuk kishte asnjë mundësi që Fiqret Shehu të ishte në dhomën e Mehmet Shehut pas orës 01:30, derisa kishte marrë një mbidozë valiumi, të cilën ia kishte këshilluar Mehmet Shehu, me sa duket që ajo të mos kalonte një natë pa gjumë me preokupimin për atë që do të ndodhte nesër në mbledhjen vendimtare të By­rosë Politike. Atëherë përse Kadare i ka përmbysur gjërat duke i paraqitur sikur është gruaja ajo që i ofron lëng gjumë­dhënës burrit, kur në fakt ka qenë e kundërta?
Bashkim Shehu në librin e vet me kujtime thotë kështu për momentin kur u zbulua Mehmet Shehu i vdekur në shtrat:
«Vladimirin (djalin tjetër të Mehmet Shehut - K. M.) e kishte kthyer prej pune një rastësi e rën­domtë, harresa e diçkaje që i nevojitej dhe ia kishte behur disa minuta para se ta gjenin babanë. E kishte gjetur nëna. Ora kishte qenë 7.55. E merakosur pse Meh­meti nuk po zgjohej, ajo kishte hyrë në dhomën e tij, duke e gje­tur po në atë pamje siç e kisha parë dhe unë. ‘Kujtova se i kishte pushuar zemra’, do të më tre­gonte më vonë. Mirëpo, tek mori të dilte, i kishte dalluar blanën e gjakut në të majtë të krahërorit. Pistoletën as që e pat vënë re, e përhumbur siç kishte qenë».[85]
Pas pak vjen Bashkim Shehu, i cili dëshmon kështu:
«- Keni lajmëruar? - i pyeta.
- I telefonova shokut Ramiz, - më tha nëna».[86]
Por pse Fiqret Shehu nuk telefonoi në shtëpinë e Enver Hoxhës, kur ishte gjetur i vdekur nga plumbat, nr. 2 i regjimit, kryemi­nis­tri? Kjo do të kishte qenë gjëja më e natyrshme. Në rast se Fiqret Shehu do të kishte qenë e implikuar në eliminimin e të shoqit, duke marrë garanci nga Nexhmije Hoxha për të ardhmen e saj dhe të familjes, Fiqreti do të kishte telefonuar drejtpërdrejt nështë­pinë e Enver Hoxhës. Kjo telefonatë, me të cilën Fiqreti do të shprehte përmbushjen prej saj të paktit, do të ishte e dëshi­ruar për të se do të shkëpuste një fjalë si inkurajuese si: Mos u mërzit Fiq­ret se ti dhe familja keni partinë! Duke i telefonuar Fiqreti Ramiz Alisë, ajo praktikisht e drejtoi gishtin, për të treguar kriminelin, tek shtëpia e Enver Hoxhës, me Ramiz Alinë si përfitues kryesor të krimit. Telefonata për Ramiz Alinë ishte një humor i hidhur, se ishte njëlloj sikur Fiqret Shehu t’i tho­shte: Tani t’u hoq pengesa për të qenë pasardhës i Enver Hoxhës në pushtet!
Ramiz Alia e mori qartë kumtin se ai nuk shkoi vetë tek shtëpia e Mehmet Shehut. Bashkim Shehu kujton:
«Ramiz Alia, asokohe sekretar i Komitetit Qendror për pro­pagandën dhe ideologjinë, nuk erdhi, po erdhi në vend të tij Kadri Hazbiu, ish-ministri i Brendshëm çerekshekullor dhe asoko­koheministër i Mbrojtjes. Përpara se të vinte në shtëpinë tonë shkoi te Enver Hoxha».[87]
Ramiz Alia, në librin «Unë Ramiz Alia dëshmoj për histo­rinë» (intervista) tregon kështu për këtë moment:
«- T’i kthehemi momentit kur morët vesh për Mehmetin?
- Po. Më telefonoi oficeri i tij personal. Më tregoi se Mehmet Shehu kishte vrarë veten.
- Nuk ju kujtohet sa ishte ora?
- Duhet të ketë qenë para orës tetë.
- A ju ka lajmëruar së pari juve, apo jo?
- Unë e pyeta se a i ka dëftuar dikujt tjetër. Më tha se ka lajmëruar ministrin e brendshëm për vetëvrasjen e tij.
- Kush ia ka komunikuar Enverit lajmin për vetëvrasjen e Mehmetit?
- Unë kam shkuar.
- Enveri akoma nuk dinte se ç’ka ndodhur?
- Jo nuk dinte. Ishte duke ngrënë mëngjes».[88]
Siç e shikoni, Ramiz Alia nuk thotë se i telefonoi Fiqret Shehu por oficeri i shërbimit të Mehmet Shehut. Ramiz Alia këtu bën një mashtrim të trashë se oficeri i shërbimit të Mehmet Shehut nëse ka telefonuar diku për ngjarjen, nuk ka telefonuar tek sekretari i Komitetit Qendror për Propagandën, por në linjën e vet hierarkike, tek Ministri i Punëve të Brendshme. Ramiz Alisë mund t’i ketë telefonuar vetëm Fiqret Shehu. Duke e mohuar këtë telefonatë, Ramiz Alia tregon irritimin që i ka sjellë tele­fonata e Fiqret Shehut, dhe na jep një çelës për të zbërthyer enig­mën e vdekjes së Mehmet Shehut. Dhe fakti që Ramiz Alia, me të marrë lajmin, nuk telefonoi në shtëpinë e Enver Hoxhës, por u nis vetë atje, dhe madje priti sa Enver Hoxha të përfun­donte së ngrëni mëngjesin, tregon se lajmi nuk përbënte ndonjë të papritur për Enver Hoxhën, ose se ai e dinte dhe Ramiz Alia i ka njoftuar vetëm telefonatën e Fiqretit.
Pastaj, në shtëpinë e Mehmet Shehut Enver Hoxha nuk çon Ramiz Alinë, por Kadri Hazbiun. Kadri Hazbiun e çuan që ta fusin në kurth, për të krijuar dyshime për të. Vajtja e Kadri Haz­biut në shtëpinë e Mehmet Shehut kur u mor vesh vdekja e këtij të fundit, tregon se Kadri Hazbiu ishte çuar nga Enver Hoxha dhe natën e kaluar.
Ismail Kadare, në parathënien e librit të Bashkim Shehut, kërkon të marrë kredit disidenti për vete nga historia tragjike e familjes Shehu, kur shkruan:
«Dimri i vitit 1981-1982 ishte i papërfytyrueshëm për nga pesha e terrorit. Ajo që ndodhte jashtë nuk ishte më pak e frik­shme se ajo që ndodhte nëpër birucat e policisë. Enver Hoxha kishte deklaruar se do ta pastronte Shqipërinë një herë e për­gjithmonë me ‘fshesë të hekurt’. Dihej se ç’do të thoshte kjo në fjalorin komunist. Qindra njerëz u arrestuan, mijëra të tjerë prisnin t’ju vinte radha, të shumtë ishin ata që vranë veten, u çmendën ose u gjymtuan përjetë shpirtërisht. Flitej për lista të zeza, për zhdukje të planifikuar të një pjese të inteligjencies, ‘për shkuarje gjer në fund të gjërave’. Shkrimtarët shqiptarë, të urryer gjithmonë nga policia e fshehtë, kishin pjesën e tyre në këtë batërdi. Por ato nuk më dukeshin të rënda në krahasim me atë që mund të ndodhte në hetuesinë e burgut, atje ku Bashkim Shehu dhe Marjeta Velsha kishin në duart e tyre fatin tim. Që Marjeta ishte akuzuar veç të tjerash edhe si agjente e Francës ishte shenjë e sigurt se diçka zhbirohej kundër meje».[89]
Më tutje, Ismail Kadare shkruan në parathënien e librit me kujtime të Bashkim Shehut se gruaja e Bashkim Shehut, Mari­eta, i ka thënë më pas për hetimin e saj:
«Ky hetim kishte dy pika kryesore: Mehmet Shehu tradhtar etj., si pasojë unë (Marieta) akuzohesha për tradhti të lartë ndaj atdheut, agjitacion dhe propagandë, agjente e imperializmit. Së dyti, pika kryesore e hetimit ishte ti. Me ditë të tjera jam pyetur për ty».[90]
Por e vërteta është se Sigurimi i Shtetit i bënte këto pyetje sipas metodës rutinë të hetimit të «komploteve», dhe derisa Kadare dilte të ishte në rrethin e familjes Shehu për të do të hetohej, se hetuesit donin që të ishin në rregull nesër dhe të mos u thoshin po për Kadarenë pse nuk hetuat. Por fakti që Kadare nuk u prek tregon se Kadare nuk ishte nën juridiksionin e Sigu­rimit të Shtetit zyrtar, por të një zyre tjetër speciale të kontro­lluar drejtpërdrejt nga Enver Hoxha.
Bashkim Shehu në librin e vet me kujtime thotë se babai i tij, Mehmet Shehu, i kishte thënë kështu për Kadarenë:
«- Me Ismail Kadarenë më nuk dua të shoqërohesh, - më tha. - Ismail Kadareja ka lakra në kokë. Kjo dihet, dhe ta kam thënë kaq herë, po t’i s’më ke dëgjuar... Po s’është vetëm kjo - vazhdoi babai - ti e di se përpara se të bëhej mik me ty, ai ka qenë mik me Todi Lubonjën. Dhe gjithmonë është përpjekur të depërtojë nëpërmjet miqësirash në familjet e Udhëheqjes, një herë në drej­tim të familjes së Hysni Kapos, një herë tjetër në drejtim të fa­miljes së Manush Myftiut, e tash tek ne. Hm, qëllon larg ai!»[91]
Mehmet Shehu shqetësohej se Kadare ishte spiun i Enver Ho­xhës. Kjo kuptohet kur Mehmet Shehu i thotë më tutje të birit:
«Ismail Kadareja rreh shumë larg... E mbaj mend mirë se si më ka thënë, në nja dy raste se në marrëdhëniet me botën e jashtme duhet të synojmë të lidhemi e të afrohemi me majat, siç e quan ai, me personalitetet më të larta, e këta janë personalitete të borgjezisë, domethënë të lidhemi me borgjezinë e madhe».[92]
Ismail Kadare mund të guxonte t’ia thoshte Mehmet Shehut këtë gjë, vetëm me porosi të Enver Hoxhës për të testuar Meh­met Shehun. Sipas rregullave të regjimit, Mehmet Shehu për këtë gjë duhet të ketë vënë në dijeni Enver Hoxhën, dhe kur ka parë se Kadare nuk pati pasoja, e kuptoi se ç’mision kishte ai. Por, që Kadare ishte misionar i Enver Hoxhës pranë familjes Shehu, kjo kuptohet kur Bashkim Shehu tregon reagimin e Kadaresë kur i tregoi për porositë që i dha i ati:

«Ismaili, nga ana e tij, sikur s’e çante kokën. Madje edhe mbasi i kisha tre­guar çka më kishte thënë për të babai. Apo ndoshta e bënte lidhjen në mendjen e vet dhe parapëlqente hesh­tjen. Sepse kushedi si e bënte këtë lidhje».[93]
 
Kadare mund të mos trembej vetëm në rast se ai kishte garanci speciale nga Enver Hoxha. Ismail Kadare në romanin «Pasardhësi» e bën Pasardhësin të rrëfejë kështu në një meditim pas vdekjes së tij, për një bisedë të tij me Prijsin:
«Po flisnim për grindjen me kinezët, kur ai, pas një frymë­marrjeje të thellë, tha se kishte pëshpërima se Lin Biao, pasar­dhësi i Maos, nuk kishte tradhtuar dhe as ishte djegur në avion, tek arratisej, por pasi e kishte ftuar për darkë në shtëpinë e tij, Maoja, fill pas darke, ia kishte bërë gropën.
Nuk e di sa vazhdoi shtangia ime. Di vetëm se e ndjeva në çast se, çdo grimë kohe që kalonte ishte e padurueshme, ngaqë prej gjithë bisedave të rrezikshme që mund të bëheshin midis nesh, kjo ishte më e keqja. Pa u menduar më gjatë, thashë fjalët: nuk dihet. Dhe, si të mos mjaftonte kjo, aty për aty shtova se, më tepër se në pafajësinë, besoja në tradhtinë e tjetrit.
Ai më vështroi gjatë dhe mallëngjyeshëm. Pastaj u ngrit nga shezlongu të më përqafonte... Gjithë natën nuk munda të vë gjumë në sy. I kthehesha dhe i rikthehesha ngashërimit dhe lotëve të tij dhe u jepja veç një shpjegim: prekja prej sinqeritetit tim. Kisha thënë atë që mendoja, pa më shkuar mendja se dyshimi im për tradhtinë e pasardhësit kinez, mund të merrej si zbulim pada­shur, i një hijeje, thellë ndërdijes sime. E qetësoja veten kështu, por aty për aty mendoja: mos kisha shkuar më lart se ç’duhej në sinqeritetin tim? Mos me dorën time i kisha rënë vetes? Ditë të tëra pas kësaj, hetoja sjelljen e tij ndaj meje, pa gjetur gjurmë të asaj pasdarkeje. E ka harruar, mendoja. Truri i tij, ashtu si i gjithkujt, kishte nevojë për harrim. Shumë vonë e kuptova se kisha gabuar. Ai nuk harronte asgjë. Kur ora për mua ra, kur mbërriti nata e 13 dhjetorit, e pas saj dita e 14-ës dhe ai e ndali kohën në vend, unë e kapa në çast se me atë kthim mbrapsht të orës, ai s’kishte bërë gjë tjetër, veçse kishte vënë në vend radhën e gjërave. Atë radhë që, pas trurit të tij, ishte pri­shur, ashtu siç rrëfenin gojëdhënat, kur ati dhe biri ngatërronin vendet.
  
Tek mbante fjalimin që unë nuk e dëgjoja më, ngashërimi e mbyste, ashtu si atëherë, atë pasdarke prilli, kur për herë të parë ndoshta, ka menduar se unë, me dorën time, i kisha rënë vetes vërtet».[94]
  
Kështu del se Kadare në romanin «Gjakftohtësia» që mori Çmimin e Republikës në 1981, e megjithatë nuk u botua deri në 1988, me titull «Koncert në fund të dimrit», e ka projektuar eliminimin e Mehmet Shehut tek historia e eliminimit të Lin Biao që tregon në roman, dhe me këtë sikur ka dashur ta nxitë Enver Hoxhën të eliminojë Mehmet Shehun.
  
Kadare shkruan te parathënia e librit të Bashkim Shehut për Enver Hoxhën:
  
«Loja tragjike me Shehun i jep pa dyshim një kënaqësi per­verse. Ka ëndërruar gjithë jetën të bëhet shkrimtar, dhe ç’është e vërteta herë-herë, kur i largohet politikës, tregon se mund të shkruajë jo keq. Vitet e fundit të jetës ka kënaqësinë e mprehtë që të bëjë një lloj letërsie unikale në botë: skenare, ku krimet pasi janë skicuar në kokën e tij, njëmendësohen në jetë. Bisedat që ka bërë me viktimën e vet gjatë asaj vjeshte të tmerrshme, (një pjesë të tyre e jep Bashkim Shehu në librin e tij), janë një minierë e vërtetë për analistët për të kuptuar stërhollimet në skutat e fshehta të trurit të tij, përpjekjet për ta shtyrë viktimën në krime të tjera përpara se të rrëzohet, stili i njohur i tij, kur atë që do të dënojë e shfrytëzon gjer në fund për ndonjë shërbim të fundit, përpjekja për të futur si bashkëpunëtorë në krim djalin e madh dhe me siguri gruan e viktimës; përpjekja për të zhdukur me këtë rast disa nga intelektualët e njohur të vendit».[95]
Por Ismail Kadare është duke e vazhduar këtë lojë perverse të Enver Hoxhës me Shehun dhe familjen e tij, edhe pas për­mbys­jes së regjimit komunist, në librat e tij. Ismail Kadare është PASARDHËSI i vërtetë i Enver Hoxhës në periudhën paskomu­niste.
Ismail Kadare, në romanin «Pasardhësi» bën disa shtrembë­rime të çuditshme të ngjarjeve reale të cilave u referohet. Sigu­risht në një roman kjo është një gjë e lejueshme, por ama kjo bëhet me një arsye të caktuar. Bashkim Shehu, në librin e vet, e përshkruan kështu varrimin e të atit, Mehmet Shehut:
«Varrimi do të bëhej të nesërmen, më 19 dhjetor. Do të na lejohej të dilnim nga shtëpia vetëm për varrim, sepse qysh prej 24 orësh, gjendeshim në arrest shtëpie, ndonëse një masë të tillë nuk e përmbante asnjë ligj ekzistues. Një ditë përpara erdhi shefi i zyrës së kuadrit të aparatit të Komitetit Qendror dhe takoi Fiqretin, duke i thënë se Mehmet Shehut nuk do t’i bëhej varrim ceremonial... Një njeri tjetër që, përveç neve të shtëpisë erdhi në varrim ishte babai i Marietës. Kështu që, gjithë gjithë, bëheshim gjashtë vetë».[96]
Kadare do ta ketë të vështirë që të shpjegojë se përse varri­min e Pasardhësit e përshkruan kështu:
«Ndërkaq, nën erën brisk të dhjetorit, në varrezën perëndi­more të kryeqytetit shqiptar, Pasardhësin po e futnin në dhe. Në varrim merrnin pjesë familjarët, si dhe dy dyzina zyrtarësh të lartë nga qeveria dhe Kuvendi. Kishte ministra dhe drejtues ins­ti­tucionesh, midis të cilëve zbardhnin flokët e kryetarit të Aka­demisë së Shkencave. Ushtarakë dhe zyrtarë të tjerë mba­nin kurorat. Fjalimin e përmortshëm e lexoi i biri i të ndje­rit».[97]
Në romanin «Pasardhësi» Suzana, vajza e Pasardhësit, në ditët pas vdekjes së këtij. Një ditë zgjohet nga gjumi prej disa vizitorëve të papritur që vijnë në shtëpi, dhe e bëjnë të zgjohet: «Kishin ardhur, siç dukej, që menatë për hetime. I kishin para­lajmëruar qysh të nesërmen e vdekjes së babait, kur u kishin njoftuar se mund të banonin në një pjesë të shtëpisë, pa guxuar të hapnin dhomat dhe sallonet e mbyllura me dyllë të kuq. Ata do të hetonin herë pas here në to. Çelësat i kishin. Kështu kishin thënë, megjithatë, nuk kishin ardhur. Ishte hera e parë që shfa­qeshin».[98]
E vërteta është se familjen e Mehmet Shehut e nxorën nga shtëpia dy ditë pas vdekjes së këtij të fundit, dhe nuk kuptohet se përse Kadare, i paraqit gjërat kështu në roman, që gjithsesi i referohet një ngjarjeje reale dhe kur devijon prej saj në detaje të tilla, duket sikur i atribuon diktaturës një xhentilesë që ajo nuk e kishte. Edhe më tepër duket kjo tendencë e Kadaresë më poshtë në roman:
«Nga brenda u dëgjuan prapë zëra. Midis tyre fjalët: ‘Të mos jetë bërë autopsia, ky është skandal!’
Dera u hap plotësisht. Me hap të shpejtë, me fytyrën të kuqe flakë nga zemërimi, doli një njeri, që asaj iu duk si ministri i ri i Brendshëm. Nga dy njerëzit e tjerë që e ndoqën pas, njërin e njihte. Ishte arkitekti i shtëpisë, i vetmi që kishte qenë edhe në ëndrrën e pakmëparshme.
Ministri e pa me një farë habie. U ndal për t’i thënë ‘mirë­mëngjes!’ Pastaj shtoi: ju zgjuam nga gjumi?
Vajza s’dinte ç’të thoshte.
Arkitekti e përshëndeti gjithashtu, me një lëvizje të lehtë koke.
- Do të bëjmë ca hetime, - tha ministri dhe eci drejt shka­llëve».[99]
Por, Ismail Kadare, në parathënien e librit të Bashkim She­hut ka thënë se çështja e autopsisë së pabërë të Mehmet Shehut u përmend në mars. Në mars familja e Mehmet Shehut ishte e internuar në Lushnjë. Duket qartë prirja e Kadaresë në roman për t’i atribuar diktaturës një xhentilesë që ajo nuk e kishte.
Ismail Kadare, në romanin «Pasardhësi», në fillim të le përshtypjen sikur do të shqyrtojë lidhjen mes vdekjes së Pasar­dhësit dhe ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë, por pastaj nuk e bën këtë gjë. Pse? Pse heziton Kadare të shtjellojë në diptikun e vet tezat që ka paraqitur tek parathënia e librit të Bashkim She­hut? A nuk ka thënë Kadare se Kosova është çelësi për të shpje­guar eliminimin e Mehmet Shehut?
Bashkim Shehu, në librin e vet me kujtime thotë se kur i ati po i jepte porositë se me kë nuk duhej të shoqërohej, i tha gji­thashtu:
«T’i them të gjitha këto që t’i kesh parasysh jo vetëm përsa i përket Ismailit, por edhe për shoqërinë tënde në përgjithësi. Të kesh kujdes, se mund të shoqërohen me ty për qëllime jo të mira. Dhe nuk ke punë të takohesh me të huajt, edhe kosovarë qofshin. Ia thuaj edhe Marietës këtë. Zaten e kemi si rregull të përgjithshëm që ndalohet të takohesh me shtetas të huaj. Kur je i autorizuar, kur je me detyrë shtetërore, është tjetër çështje. Me ligj nuk e kemi, po e kemi vënë në rregulloren ushtarake».[100]
Shikoni si shprehet Mehmet Shehu: «nuk ke punë të tako­hesh me të huajt, edhe kosovarë qofshin». Për regjimin e Enver Hoxhës, shqiptarët e Kosovës janë të huaj, me të cilët duhet të shoqërohen vetëm ata që janë caktuar nga regjimi, njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Ndërsa vetë Enver Hoxha mburrej se miku më i mirë i jetës së vet kishte qenë serbi Miladin Popoviç. Enver Hoxha në Plenumin IV, në shtator 1982, duke paraqitur për herë të parë tablonë sinoptike para Komitetit Qendror të PPSH, thotë për marrëdhëniet e Mehmet Shehut me misio­narin serb pranë lëvizjes komuniste dhe partizane shqiptare, Dushan Mugo­shën:
«Ky e nisi punën me Mehmet Shehun qysh në Vlorë në pran­verën dhe verën e vitit 1943 dhe e intensifikoi më shumë kur të dy ‘e rregulluan’ që të ndodheshin bashkë në Brigadën I Sulmuese. Këtu në brigadë Mugosha rekrutoi dhe Fiqret San­xhaktarin dhe, po për qëllime agjenturore, u bë ‘shkes’ për feje­sën e saj me Mehmet Shehun».[101]
Enver Hoxha tha kështu se komandanti real i Brigadës I par­tizane kishte qenë serbi Dushan Mugosha dhe se Mehmet Shehu ishte vetëm komandanti në letër. Atëherë si shpjegohet që Enver Hoxha e mbajti Mehmet Shehun për tre dekada kryeministër të Shqipërisë? Kuptohet për faktin se vetë Enver Hoxha kishte «Dushan Mugoshën» e vet, serbin Miladin Popoviç, xhelatin e Kosovës në dimrin e viteve 1944-1945. Enver Hoxha me këtë provoi se në udhëheqjen e regjimit komunist kishte vetëm një komplot real atë që kishte filluar në nëntor 1941, kur 15 komu­nistë shqiptarë u tubuan në një mbledhje konspirative, nën drejtimin e dy misionarëve serbë, për të themeluar ilegalisht një parti që do ta flijonte Shqipërinë për mustaqet e Stalinit.
Këtë betim Enver Hoxha e mbajti dhe në vitin 1981. Enver Hoxha, në përmbledhjen përfundimtare që i bëri të ashtuquaj­turit komplot të Mehmet Shehut, në shtator 1983 thotë:
«Mehmet Shehut i kishin caktuar detyra padronët, që vendi ynë të hapej drejt Perëndimit, ekonomikisht, politikisht e diplo­matikisht dhe këto çështje ai i shtronte gjoja si rastësisht, bile edhe duke shëtitur në rrugë, i shtronte gjoja për diskutim, si të lidhura me gjendjen, me nevojat».[102]
Ndoshta Mehmet Shehu vërtet mund t’i ketë thënë Enver Hoxhës se, duke konsideruar që diktatura në Shqipëri është shumë e fortë, mund t’i lejojnë vetes një hapje ekonomike kah Perëndimi, për të nxjerrë ekonominë nga kolapsi. Dhe Enver Hoxha i thotë këto gjëra, të botuara që në atë kohë, për t’u bërë të ditur serbëve dhe rusëve se ishte ai që e mbante Shqipërinë, që të mos rrëshqiste kah Perëndimi dhe posaçërisht SHBA. Me këtë Enver Hoxha mori arrogancisht përgjegjësinë për ultraizo­limin ku e çoi vendin. Ismail Kadare, siç kam treguar në shkri­me të mëparshme, i shërbeu Enver Hoxhës në këtë kurs, duke ia paraqitur Perëndimit izolimin enverian si kursin më konvenues të Shqipërisë edhe për Perëndimin.


[1] Ismail Kadare: «Vajza e Agamemnonit», «55», Tiranë, 2003, f. 5; Gjithashtu edhe tek: «Pasardhësi», «55», Tiranë, 2003, f. 5.

[2] Bashkim Shehu: «Vjeshta e ankthit», «Albinform», Tiranë, 1994, f. 8.
[3] Po aty, f. 9.

[4] Ismail Kadare: «Vajza e Agamemnonit», «55», Tiranë, 2003, f. 109.

[5] Po aty, fq. 109-111.

[6] Ismail Kadare: «Pasardhësi», «55», Tiranë, 2003, f. 7.
[7] Po aty, fq. 9-10.

[8] Bashkim Shehu: «Vjeshta e ankthit», «Albinform», Tiranë, 1994, f. 13.

[9] Po aty, fq. 13-14.
[10] Ismail Kadare: «Pasardhësi», «55», Tiranë, 2003, fq. 10-13.

[11] Po aty, f. 23.

[12] Bashkim Shehu: «Vjeshta e ankthit», «Albinform», Tiranë, 1994, f. 15.
[13] Po aty, fq. 15-16.

[14] Po aty, fq. 16-17.

[15] Po aty.

[16] Po aty, f. 17.

[17] Po aty, f. 18.
[18] Po aty.

[19] Po aty.

[20] Po aty, fq. 39-40.

[21] Enver Hoxha: «Titistët», «8 nëntori», Tiranë, 1982, f. 572.

[22] Abdurahman Avtorkhanov: «Vdekja e Stalinit: komploti i Berias», «Dituria», Tiranë, 1992, f. 71.

[23] Enver Hoxha: «Titistët», «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 573.
[24] Po aty, f. 573.

[25] Po aty, fq. 573-574.

[26] Po aty, f. 574.

[27] Po aty, fq. 574-575.

[28] Bashkim Shehu: «Vjeshta e ankthit», «Albinform», Tiranë, 1994, fq. 38-39.
[29] Po aty, fq. 39.
[30] Enver Hoxha: «Titistët», «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 575.

[31] Bashkim Shehu: «Vjeshta e ankthit», «Albinform», Tiranë, 1994, fq. 18-19.
[32] Ismail Kadare: «Pasardhësi», «55», Tiranë, 2003. fq. 14-15.

[33] Ismail Kadare: «Pasardhësi», «55», Tiranë, 2003, fq. 15-16.

[34] Po aty, fq. 22-23.
[35] Po aty, f. 102.

[36] Po aty, f. 18.
[37] Enver Hoxha: «Titistët», «8 nëntori», Tiranë, 1982, fq. 575-576.

[38] Po aty, f. 576.
[39] Po aty.
[40] Po aty, f. 577.

[41] Po aty.

[42] Bashkim Shehu: «Vjeshta e ankthit», «Albinform», Tiranë, 1994, f. 31.

[43] Enver Hoxha: «Raporte e fjalime», «8 nëntori», Tiranë, 1985, f. 378.
[44] Ismail Kadare: «Pasardhësi», «55», Tiranë, 2003, fq. 25.

[45] Po aty, fq. 25-26.
[46] Bashkim Shehu: «Vjeshta e ankthit», «Albinform», Tiranë, 1994, f. 13.

[47] Po aty, f. 35.

[48] Ismail Kadare: «Pasardhësi», «55», Tiranë, 2003, f. 120.

[49] Bashkim Shehu: Vep. e cit., fq. 13-14 (shiko fusnotën 378).
[50] Enver Hoxha: «Titistët», «8 nëntori», Tiranë, 1982, f. 577.
[51] Po aty, f. 578.

[52] Po aty.
[53] Enver Hoxha: «Raporte e fjalime», «8 nëntori», Tiranë, 1985, fq. 33-60.
[54] Po aty, f. 184.

[55] Po aty.
[56] Po aty, f. 221.
[57] Po aty, f. 250.

[58] Po aty.

[59] Po aty, f. 248.
[60] Enver Hoxha: «Titistët», «8 nëntori», Tiranë, 1982, f. 578.

[61] Enver Hoxha: «Raporte e fjalime», «8 nëntori», Tiranë, 1985, f. 377.

[62] Po aty, f. 379.

[63] Ismail Kadare: «Pasardhësi», «55», Tiranë, 2003, f. 104.

[64] Po aty, f. 106.
[65] Po aty, f. 57.
[66] Po aty, f. 122.

[67] Po aty, f. 123.
[68] Po aty, f. 122.

[69] Po aty, fq. 108-109.
[70] Po aty, fq. 109-110.
[71] Po aty, f. 110.

[72] Po aty, fq. 110-111.
[73] Po aty, fq. 116-117.
[74] Po aty, f. 123.

[75] Fahri Balliu: «Zonja e zezë Nexhmije Hoxha», «55», Tiranë, 2005, fq. 5-7.

[76] Ismail Kadare: «Vajza e Agamemnonit», «55», Tiranë, 2003, f. 81.
[77] Ismail Kadare: «Pasardhësi», «55», Tiranë, 2003, fq. 123-124.

[78] Po aty, f. 48.
[79] Po aty.

[80] Po aty, f. 137.
[81] Po aty, f. 83.
[82] Po aty, f. 155.

[83] Po aty, fq. 159-160.

[84] Bashkim Shehu: «Vjeshta e ankthit», «Albinform», Tiranë, 1994, f. 36.
[85] Po aty, fq. 33.
[86] Po aty.

[87] Po aty
[88] «Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë», «Dituria», Tiranë, 1993, f. 98.

[89] Bashkim Shehu: «Vjeshta e ankthit», «Albinform», Tiranë, 1994, fq. 10-11.

[90] Po aty, f. 12.
[91] Po aty, fq. 73-74.
[92] Po aty, f. 81.

[93] Po aty, fq. 84-85.

[94] Ismail Kadare: «Pasardhësi», «55», Tiranë, 2003, fq. 157-159.

[95] Bashkim Shehu: «Vjeshta e ankthit», «Albinform», Tiranë, 1994, f. 20.
[96] Po aty, f. 164.
[97] Ismail Kadare: «Pasardhësi», «55», Tiranë, 2003, f. 13.

[98] Po aty, fq. 32-33.
[99] Po aty, fq. 32.

[100] Po aty, fq. 74.
[101] Enver Hoxha: «Raporte e fjalime», «8 nëntori», Tiranë, 1985, f. 185.

[102] Po aty, f. 375.