Ismail Kadare në librin «Kohë barbare», të shkruar së bashku me gazetarin Denis Fernandez Recatala, shkruan:
«Kishte kaluar një dhjetëvjeçar kur unë i paraqita një shtëpie botuese dorëshkrimin e romanit ‘Koncert në fund të dimrit’. Nëpërmjet tij, zgjerova kufirin e lirisë që kisha fituar. E sulmova ballë për ballë komunizmin kinez dhe dënova revolucionin kulturor. Denoncova krimet e kryera nga gardistët e kuq dhe të drejtuara nga Mao. Shqipëria e Enver Hoxhës u ishte nënshtruar të njëjtave ngjarje. Për disa ndoshta dukesha ‘korrekt nga ana politike’ ndërkohë që unë tentoja të zhvleftësoja komunizmin, ashtu siç praktikohej ai, dhe sidomos ‘tek ne’, duke e paraqitur si një pasqyrë të peshkuar në ujërat kineze».[1]
«Fjalë plot guxim, por një veprim do të dëgjohej më tepër», tha dikur Winston Churchill, në kohën kur Britania e Madhe dhe Franca bënin deklarata që supozohej të ndalonin Hitlerin që po përgatitej për luftë. Në rastin e Kadaresë veprimet përgënjeshtrojnë fjalët plot guxim të thëna «pas lufte». Kjo për faktin se romani i Ismail Kadaresë «Koncert në fund të dimrit», i cili së pari u paraqit për botim nën titullin «Gjakftohtësia» (1981), kur edhe fitoi Çmimin e Republikës të klasit të parë (çmimi më i rëndësishëm që jepej në kohën e komunizmit në Shqipëri), është, në pikëpamje të ideve që paraqet, një klon letrar i librit të Enver Hoxhës «Shënime për Kinën» (1979). Në rast se ato që ka shkruar Kadare tek «Koncert në fund të dimrit» kundër komunizmit kinez mund të konsiderohen si antikomunizëm, atëhere i bie që edhe «Shënime për Kinën» të Enver Hoxhës të konsiderohet një libër antikomunist, pasi romani i Kadaresë e ndjek këtë libër të Enver Hoxhës, si një guidë ideore.
Vetë Enver Hoxha është personazh në romanin e Kadaresë, ku paraqitet gjatë shkrimit të librit të vet «Shënime për Kinën»:
«Enver Hoxha shfletonte ngadalë fletët e nxjerra nga ditari politik që e mbante prej vitesh. Ishin disa mijëra fletë që kishin lidhje me Kinën dhe që ai kishte kërkuar t’ia sillnin disa orë më parë, në shtëpinë në breg të detit ku kishte ardhur të kalonte fundin e javës.
Ai e mënjanoi edhe më globin e vogël që ndodhej mbi tryezë për t’u bërë vend fletëve...
Gishtat e tij vazhdonin të shfletonin letrat. E mërkurë, 17 shkurt 1971 Çen Po Taja dënohet si tradhtar. E hënë, 15 nëntor 1971. Shënime për Kinën. Durrës. E shtunë, 22 korrik 1972 ‘Komploti’ i Lin Biaos...
Ai tundi kokën. Një galaktikë pabesie, ja si mund të quhej e gjithë kjo. Ai gjeti stilografin midis fletëve dhe nënvizoi fjalët ‘Shënime për Kinën’ dhe mendoi se ishte e vështirë që të kishte ndonjë vend e ndonjë popull që t’i kishte njohur kinezët kështu».[2]
Romani i Kadaresë «Koncert në fund të dimrit» u botua në vitin 1988, shtatë vite pasi fitoi çmimin më të lartë në Shqipëri. Vonesën në botim Kadare ka dashur që ta interpretojë si një lloj persekutimi që regjimi i ka bërë atij, për shkak se në roman kishteide të papëlqyeshme për regjimin. Absurditeti i këtij pretendimi të Kadaresë nuk është i vështirë të zbulohet. Në Shqipëri dhe në vende të tjera të Lindjes, në kohën e komunizmit, ka pasur raste që janë ndaluar libra, për shkak se kanë qenë të papëlqyeshëm për regjimin, por asnjëherë nuk ka ndodhur që një libër i papëlqyeshëm të marrë çmimin më të lartë që jepte regjimi komunist. Sigurisht që romani i Kadaresë iu nënshtrua një shqyrtimi tejet të hollësishëm dhe të kujdesshëm në kohën që iu dha çmimi, nga juria që i ndante çmimet, por edhe nga nivelet e larta të regjimit, se ç’iu nënshtrua para se të botohej, aq më tepër po të konsiderohet tema delikate që trajtohej në roman.
Mandej, ata që qenë përgjegjës për botimet në Shqipërinë e kohës nuk do të guxonin kurrë të ndalonin ose të kritikonin një libër që kishte fituar Çmimin e Republikës të klasit të parë. Romani pra, nuk u ndalua për idetë e papëlqyeshme për regjimin që bartte, por për faktin se personazhe të romanit qenë kryeministri Mehmet Shehu, i cili u eliminua pak javë pasi romani fitoi çmimin e lartë dhe romani duhej pastruar prej tij. Derisa Kadare qe duke e ripunuar romanin për të zhdukur që andej ish-kryeministrin që e pati pasë personazh pozitiv, në një spastrim tjetër u eliminuan të tjerë personazhe pozitive të romanit. Pastaj ndodhi vdekja e Enver Hoxhës, që e shtyu botimin e romanit pasi u vendos që ai të botohej në kuadrin e celebrimeve që do të bëheshin për 80-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës në vitin 1988, kur u promovuan monumentet e diktatorit në disa qytete të vendit dhe mauzoleumi i tij faraonik në Tiranë. Romani i Kadaresë qe një monument në llojin e vet për Enver Hoxhën.
Romani i Kadaresë «Koncert në fund të Dimrit» u shkrua dhe u botua për të mbështetur versionin e Enver Hoxhës, të dhënë prej këtij në librin «Shënime për Kinën» për marrëdhëniet shqiptaro-kineze dhe për ftohjen dhe prishjen e tyre. Në romanin e Kadaresë, historia e prishjes shqiptaro-kineze jepet sipas versionit që ofron Enver Hoxha në librin «Shënime për Kinën», pra sikur, pasi u njoftua në vitin 1971 se Pekinin do ta vizitonte Presidenti i SHBA-ve, Richard Nixon, Enver Hoxha i çoi një letër Mao Ce Dunit ku e kundërshtonte këtë hapje të Kinës nga Perëndimi dhe devijim nga ortodoksia marksiste-leniniste dhe se, pas kësaj, Mao Ce Duni, vendosi të hakmerret kundër Shqipërisë duke ia ulur ndihmat ekonomike në minimum dhe duke nxitur një komplot për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri. Që në fillim të romanit paraqitet shefi i shteti kinez Mao Ce Dun, i cili mediton në momentet që porsa i kanë dorëzuar letrën që i ka çuar shefi i shtetit shqiptar, Enver Hoxha, ku kundërshton vizitën e paralajmëruar të Presidentit amerikan Nixon në Kinë, vizitë që u bë në 21 shkurt 1972:
«Enver Hoxha pra i kishte dërguar një letër. Hm një letër zyrtare ku nuk i uronte asgjë... Ku, përkundrazi i shkruante diçka të keqe, shumë të keqe... Hieroglifet e fundit ishin edhe më të hidhurat. Enver Hoxha ishte kundër vizitës së ardhshme të presidentit të SHBA në Kinë dhe pothuajse haptazi kërkonte anulimin e saj».[3]
Letra për të cilën bëhet fjalë këtu është letra e Komitetit Qendror të PPSH e datës 6 gusht 1971 drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës,[4]që Enver Hoxha pretendon se iu dërgua Kinës në verën e vitit 1971, por që nga ana kineze nuk konfirmohet ekzistenca e letrës, me anë të një përgjigjeje, çka do të qe e natyrshme. Me gjasë letra u inventua më vonë, në vitin 1978, kur marrëdhëniet u prishën dhe Enver Hoxha mund të thoshte ç’të donte, pa u preokupuar për pasojat. Në 1 gusht 1973, Enver Hoxha, supozohet të ketë bërë këtë shënim në librin e vet «Shënime për Kinën»:
«Kina ua hapi dyert Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Që nga kjo kohë kinezët i kanë ftohur kontaktet politike me ne».[5]
Duke dashur që të shtjellojë në roman versionin e Enver Hoxhës për prishjen shqiptaro-kineze, Kadare i paraqet gjërat sikur letra e Enver Hoxhës, ku ky i fundit kundërshtonte vizitën e Presidentit amerikan në Kinë shkaktoi zemërimin e furishëm të Mao Ce Dunit dhe ky i fundit u betua që të hakmerrej ndaj Shqipërisë:
«Pra kishte ndodhur diçka që, po ta merrte vesh populli kinez do të rrëzohej përdhe nga turpi. Mao Ce Duni e ndiente që po zemërohej më parë nga ç’e mendonte. Do të bëj hatanë, tha ai me vete. Do t’i jap Shqipërisë një mësim që të dridhet një mijë vjet më vonë, kur ta kujtojë». [6]
Kështu, sipas Kadaresë, e ashtuquajtura në gjuhën e regjimit komunist shqiptar bllokada ekonomike kineze për Shqipërinë, organizimi i komploteve të supozuara dhe sabotimet e supozuara ekonomike kineze, janë hakmarrja e Mao Ce Dunit për letrën e Enver Hoxhës të vitit 1971. Origjinën e teorisë së mësipërme Kadare e ka gjetur tek ato që thotë Enver Hoxha, në librin e vet «Shënime për Kinën», ku në 17 qershor 1975, bën këtë shënim me titull «Filloi presioni i fortë ekonomik kinez, por ne kurrë nuk do të thyhemi», ku, pasi thotë se kinezët i kanë ulur në minimum ndihmat ekononike për Shqipërinë, pasuron teorinë e re të konspiracionit:
«Ky akt i kinezëve nuk mund të konsiderohet i veçuar nga presioni i madh politik, ideologjik, propagandistik, ekonomik dhe ushtarak që na bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Sovjetik dhe satelitët e tyre, duke përfshirë këtu edhe ato shtete të ‘botës së tretë’, siç konsiderojnë kinezët Jugosllavinë dhe Rumaninë. Presioni i këtyre nuk është imagjinar, por u konkretizua në komplotin ushtarako-ekonomik të kryesuar nga Beqir Balluku, Petrit Dumja, Hito Çakoja, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Lipe Nashi etj. Qëllimi i këtyre tradhtarëve ishte likuidimi i Partisë dhe i udhëheqjes së saj marksiste-leniniste, që Shqipëria socialiste të kthehej në një vend revizionist».[7]
Me këtë që thonë Ismail Kadare dhe Enver Hoxha, shqiptarët dhe kinezët duhet të dridhen nga e qeshura për një mijë vitet e ardhme. Kjo sepse me paralajmërimin e vizitës së Presidentit Nixon në Pekin dhe më pas me vizitën dhe ndryshimin e kursit të Kinës, duke u orientuar nga Perëndimi, nuk u shkallëzua ftohja e marrëdhënieve shqiptaro-kineze, nga ana shqiptare, me arsyen se Enver Hoxha nuk mund ta toleronte devijimin nga puritanizmi marksist-leninist, siç pretendon ky i fundit dhe siç i paraqet gjërat në roman Ismail Kadare. E vërteta është se pari passu me orientimin realpolitik të Kinës nga Perëndimi, Kina humbi interesin për Shqipërinë enveriane, e cila kishte për Kinën rëndësi si një zëdhënës në konfliktin ideologjik me Bashkimin Sovjetik dhe për t’i treguar komunizmit ndërkombëtar e në radhë të parë atij aziatik se Maoizmi mbështetej edhe nga një shtet komunist në Europë. Kështu, logjikisht pari passu me hapjen e Kinës nga Perëndimi u zvogëluan dhe ndihmat ekonomike kineze për Shqipërinë, që jepeshin si shpërblim për përkushtimin e Shqipërisë ndaj Maoizmit.
Mao Ce Duni u afrua me SHBA-të për shkak se ndiqte interesin nacional kinez, që atëhere identifikonte si rrezik kryesor Bashkimin Sovjetik, për arsye se ai mbante të aneksuara territore shumë të gjera kineze, që nga koha e Rusisë cariste, dhe se nuk deshi t’i jepte Kinës ndihma të mëdha që do t’i mundësonin kësaj të fundit të ngrihej deri në rangun e një superfuqie ekonomike dhe ushtarake. SHBA-të, në kohën kur Nixon vizitoi Pekinin, qenë të interesuara që ta mbështesnin Kinën për shkak se kjo në atë kohë gjendej nën një presion të fortë sovjetik, i cili, madje qe shkallëzuar deri në luftime me armë. Në Washington mendonin se në rast se nuk mbështetej Kina, atëhere atje do të triumfonin forcat prosovjete dhe Kina do të hynte përsëri në orbitën sovjetike, duke u përmbysur balanca e forcave në Azi, si dhe më gjerë.
Pasi ndryshoi kursin, duke u afruar me Perëndimin, Kina i propozoi dhe Shqipërisë të njëjtën gjë. Enver Hoxha, në ditarin e vet politik shkruan:
«Udhëheqësit kinezë na kanë thënë që ‘të lidhemi me Jugosllavinë dhe me Rumaninë’, domethënë të bëhemi revizionistë si ata, ‘të lidhim marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’ e të tjera poshtërsira si këto domethënë të bëjmë siç bën Kina».[8]
Liderët kinezë, Mao Ce Duni dhe Çu En Lai, e perceptonin dhe e pranonin marksizëm-leninizmin ashtu sikur paraqitej ai i thyer në prizmin e interesit nacional kinez, ndërsa Enver Hoxha e perceptonte dhe e pranonte interesin nacional shqiptar ashtu sikur ai paraqitej i thyer në ideologjinë marksiste-leniniste dhe të kuintesencës së saj, Stalinizmit. Derisa për Mao Ce Dunin dhe Çu En Lain, sipas këtij koncepti, qe i pranueshëm bashkëpunimi me Perëndimin kapitalist dhe posaçërisht me SHBA-të, për Enver Hoxhën kjo qe një gjë e papranueshme, është poshtërsi. Por, në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe posaçërisht në gjeopolitikë si materializim i tyre, vepron parimi investigativ i romanëve të vjetër, sipas të cilit duhet parë se në dobi të kujt është ajo që ndodh. Mosdashja e Enver Hoxhës për t’u afruar me SHBA në vitin 1971, qe në favor të Bashkimit Sovjetik, por u pëlqye shumë dhe prej Francës dhe Greqisë. Jo më kot në kohën e afrimit kino-amerikan, në fillim të viteve ’70, Greqia shpejtoi të afrohej me Shqipërinë komuniste, afrim që shkoi deri në lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në 1971. Jo më kot, romani i Kadaresë, «Koncert në fund të dimrit», me t’u botuar në Shqipëri në 1988, u përkthye dhe u botua saora dhe në Francë dhe iu bë një publicitet i madh. Francezëve u pëlqeu shumë fryma antiamerikane e romanit.
Më tutje në romanin e Ismail Kadaresë, Mao Ce Dunit, në momentet që ka marrë letrën e Enver Hoxhës, në gusht 1971, i atribuohen si meditime, pikërisht ato gjëra që Enver Hoxha ia ngarkon udhëheqësisë kineze dhe vetë Mao Ce Dunit, domethënë bllokada ekonomike, organizimi i komploteve për përmbysjen e regjimit enverian si dhe të gjitha llojet e presioneve:
«Po dale, kjo s’është asgjë përpara asaj që do t’u kërkoj pastaj. Jepni... Partinë. E di, sa e papranueshme ju duket kjo ide, sa e egër, e kobshme. E di që atë e keni gjënë më të shtrenjtë, më të paprekshme, më të padiskutueshme, që mbi të keni vënë tërë sigurinë tuaj, të sotmen, të ardhmen. Të gjitha i di. Por pritni, plaku s’është aq budalla sa të kërkojë të preket e paprekshmja e të diskutohet e padiskutueshmja. Jo, jo, jo larg qoftë ajo punë. Madje s’kam asnjë leverdi t’jua kërkoj këtë. Pa Partinë do të përmbysej vërtet çdo gjë dhe ju do të më iknit përgjithmonë. Do të më iknit larg, larg... Pra larg qoftë ajo punë. Me Partinë, gjithmonë me Partinë, pëllumbat e mi, veç me një Parti pakëz të... zbutur... Prisni, dëgjomëni gjer në fund. S’është aq e tmerrshme sa ç’mund të duket në fillim. Ju keni në flamur një shqiponjë me dy krerë, në mos gaboj, apo jo? Atëherë, po të jetë kështu, përse t’ju duket e lemerishme ideja e dy vijave në Parti? E papranueshme, barbare? E lëmë atëherë, gjejmë një tjetër gjë. Simbole, lavdi zotit ka plot. Kishte biseduar me Çu En Lain për këtë, i kishte dhënë ca ide, dhe Çuja nga ana e tij kishte biseduar me një ministër të tyre, një ushtarak dhe bëhej gati të bisedonte me të tjerë zyrtarë të rëndësishëm të ekonomisë. Çuja kishte qenë në një mendje me të, në Shqipëri asgjë s’mund të bëhej pa pasur parasysh Partinë. Mandej andej duhej nisur në fillim. Po të troshitej, të zbutej pakëz ajo, të tjerat vinin vetë. Atëherë çdo gjë ishte tjetër gjë, muret e kështjellës siç u pëlqente atyre ta quanin vendin e vet, s’do të ishte veçse dekor teatri, krenaria e tyre do të kthehej në të kundërtën, mosbindja në bindje, dhe atyre kurrë, në jetë të jetëve, s’do t’u shkonte ndër mend t’i shkruanin letër kundër ftesës së presidentit amerikan».[9]
Të gjitha këto që thotë Kadare janë fantazi politike enveriane të letrarizuara. Mao Ce Duni qe një politikan pragmatist dhe dy linjat në parti në Kinë ai i përdori për të lejuar që brenda Partisë Komuniste Kineze të mbetej në lojë, të mbijetonte krahu i ashtuquajtur djathtist, i Çu En Lait dhe Ten Hsiao Pinit, që qe për afrim me Perëndimin dhe posaçërisht me SHBA, në mënyrë që Kina të merrte ndihma dhe të zhvillohej, ekonomikisht dhe ushtarakisht, duke ofruar si quid pro quo, peshën e saj për balancimin e Bashkimit Sovjetik. Dhe kur erdhi dita, Mao Ce Duni eliminoi krahun ultramajtist të Lin Biaos dhe e adoptoi vetë politikën e krahut të ashtuquajtur djathtist, duke pritur në Pekin Presidentitn amerikan Nixon. Pra, politika e dy linjave qe në funksion të ruajtjes së fleksibilitetit në politikën e jashtme kineze, të orientuar nga interesi nacional kinez, jo për ndonjë përkushtim të Mao Ce Dunit ndaj pluralizmit të mendimeve. Për Mao Ce Dunin qe e qartë se politika kineze e dy linjave në parti nuk mund të adaptohej tek partia në pushtet në Shqipëri, në rast se këtë nuk e donte lideri i saj Enver Hoxha, prandaj qe absurde që Mao Ce Duni të tentonte që ta instalonte në Shqipëri modelin kinez të dy vijave, aq më tepër me anë të një komploti. Kur Mao Ce Duni e bëri këtë gjë në Kinë, ai pati si motiv konsiderimin e interesit nacional kinez, por në rastin e Shqipërisë çfarë motivi do të kishte?
A mund të besohet se Mao Ce Duni kishte ndonjë preokupim për zhvillimin e interesit nacional shqiptar në kuadrin e vijës ideologjike të PPSH? Qesharake! Në rast se Mao Ce Duni që nga viti 1960, kur filloi konflikti kino-sovjetik dhe deri në 1971 kur Kina u afrua me SHBA-të, pati interes që modeli ideologjik kinez të zbatohej në Shqipëri, pas vitit 1971, kur në politikën kineze Realpolitik prevaloi dukshëm mbi ideologjinë, kurs ky që është kulmuar në kohën e sotme, rëndësia e Shqipërisë për Kinën u relativizua në maksimum. Mao Ce Duni, pas vitit 1971, kur e afroi Kinën me SHBA, nuk kishte më asnjë interes për zhvillimet e brendshme në PPSH, se kishte një apo dy linja partia në Shqipëri. Aq më tepër është absurde që Mao Ce Duni, ashtu siç paraqitet në penën e Kadaresë, të kërkojë që me anë të një komploti të përmbysë regjimin enverian në Shqipëri. Aq më tepër që, siç thotë vetë Kadare, duke kopjuar ato që ka thënë Enver Hoxha për «komplotin» e viteve 1973-1975, «komplotistët» e asaj kohe në Shqipëri qenë njerëz të sovjetikëve që qenë lidhur edhe me kinezët. Atëhere del se, në rast se «komploti» do të kishte sukses, Shqipëria do të orientohej nga Bashkimi Sovjetik, gjë që sigurisht nuk do t’u pëlqente kinezëve, edhe pse atyre pas vitit 1971, aq u bënte se ç’ndodhte me Shqipërinë.
Ndërsa më tutje, Mao Ce Duni, në romanin e Kadaresë mendon për një komplot të madh kundër regjimit enverian në Shqipëri:
«Ishte koha tamam për shantazh. Njerëzit tanë atje mund ta shfrytëzojnë mirë gjendjen. Sipas raporteve të besueshme përkrahës të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të Kinës atje kishte gjer në qeveri, në Komitetin Qendror. Ata duhet të zgjoheshin më në fund nga gjumi. Loja e vërtetë fillonte pikërisht tani».[10]
Është e qartë se Ismail Kadare vazhdon t’i atribuojë personazhit të vet, Mao Ce Dunit, ato gjëra që i atribuon atij Enver Hoxha, në «Shënime për Kinën», ku postulon teorinë se në «komplotin» e viteve 1973-1975 në Shqipëri, në art, ushtri dhe ekonomi, patën dorë kinezët. Në të njëjtën kohë, Kadare, me një cinizëm të skjshëm u atribuon me një fantazi letrare viktimave të Enver Hoxhës në spastrimet e viteve 1973-1977, të quajtur prej diktatorit si «komplotistë» e «puçistë», lidhjen agjenturore kineze që ua dha si etiketë Enver Hoxha për t’i rënduar më tepër. Kjo gjë e bën Kadarenë bashkëfajtor në krim me Enver Hoxhën. Enver Hoxha, në librin e vet «Shënime për Kinën», në 22 tetor 1976, supozohet të ketë bërë shënimin (them supozohet pasi nuk është e sigurt që ai atëhere të mendonte se kinezët komplotonin kundër tij):
«Komploti i Beqir Ballukut dhe i Abdyl Këllezit ishte i sinkronizuar me komplotin kinez. Çuja (Çu En Lai - K.M.) përgatiste që njëkohësisht me ndryshimet në Kinë të ndryshohej situata edhe në Shqipëri, për realizimin më lehtë të planeve të tyre lidhur me lëvizjen punëtore e komuniste dhe me marrëdhëniet tona e ato ndërkombëtare. Por Partia jonë e zbuloi dhe e likuidoi puçin e Beqir Ballukut dhe të Abdyl Këllezit».[11]
Po në librin «Shënime për Kinën», Enver Hoxha shkruan:
«Beqir Balluku dhe grupi i tij ishin jo vetëm agjentë të vjetër të sovjetikëve, por u lidhën edhe me kinezët. Plani strategjik armiqësor që po përgatiste Beqir Balluku, po hartohej me sugjerimin e Çu En Lait. Vetë Beqiri na tha se këtë plan ‘ia propozoi Çuja’, kurse ne ia hodhëm poshtë sugjerimin e tij, si armiqësor. Beqir Balluku punoi në fshehtësi në atë drejtim që i tha Çu En Lai, domethënë për ‘tërheqje në male’, për aleancë me Jugosllavinë dhe me Rumaninë. Kjo përmbledh gjithë strategjinë revizioniste kineze dhe jo vetëm strategjinë ushtarake, por edhe atë politike dhe ideologjike».[12]
E megjithatë, në Letrën e Komitetit Qendror të PPSH dhe të Qeverisë së RPS të Shqipërisë drejtuar KQ të Partisë Komuniste të Kinës dhe Qeverisë Kineze në 29 korrik 1978, thuhet:
«Në vitin 1968 në Kinë shkoi një delegacion Partie dhe Qeverie i Shqipërisë, në krye të të cilit ishte ish-anëtari i Byrosë Politike dhe ish-zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave e Ministër i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku. Ky delegacion ishte ngarkuar me detyrën që t’i shtronte udhëheqjes kineze edhe kërkesat tona për ndihmë për forcimin e fuqisë mbrojtëse të Shqipërisë. Çu En Lai, në atë rast, i tha haptas Beqir Ballukut pikëpamjen e udhëheqjes kineze, sipas së cilës, Shqipërisë, si një vend i vogël, nuk i duheshin armatime të rënda dhe ajo nuk ishte kurrsesi në gjendje që të mbrohej vetëm me forcat e veta nga një agresion i jashtëm veçanërisht nga socialimperializmi sovjetik dhe imperializmi amerikan, sado ndihma ushtarake që të merrte nga Kina. Prandaj, sipas Çu En Lait, për të përballuar një agresion të huaj, shqipërisë i mbetej vetëm rruga e zbatimit të luftës partizane në vend dhe lidhja e një aleance ushtarake me Jugosllavinë e me Rumaninë. Kur u kthye delegacioni ynë në atdhe, Beqir Balluku e njoftoi Byronë Politike për propozimin e Çu En Lait. Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë sonë e dënoi dhe e hodhi poshtë njëzëri propozimin antishqiptar dhe kundërrevolucionar të Çu En Lait. Beqir Balluku, që u bashkua formalisht me vendimin e Byrosë Politike, shtoi se gjoja ai e kishte kundërshtuar propozimin e Çu En Lait, por faktet dhe ngjarjet e mëvonshme vërtetuan se Beqir Balluku në realitet kishte qenë plotësisht dakord me propozimin e udhëheqjes kineze dhe veproi në fshehtësi për të realizuar këtë plan strategjik armiqësor kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë».[13]
Në fakt, aleancën me Jugosllavinë, pas këtij sugjerimi të Çu En Lait në 1968, e pati deklaruar vetë Enver Hoxha dhe kjo aleancë u konfirmua me deklarata zyrtare edhe pas eliminimit të Beqir Ballukut, madje edhe pas eliminimit të Mehmet Shehut, që u konsiderua si kapo i të gjitha komploteve. Adil Çarçani, i cili zëvendësoi Mehmet Shehun në postin e kryeministrit, në janar 1982, në fjalimin që mbajti para Kuvendit Popullor për paraqitjen e programit të qeverisë, në 15 janar 1982, u shpreh:
«Ne kemi deklaruar dhe deklarojmë se po të sulmohet Jugosllavia nga cilado superfuqi, është sulmuar dhe Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Në këtë rast të dy vendet do të ndodhen në luftë kundër të njëjtit armik».[14]
Në terma të marrëdhënieve ndërkombëtare, kur një shtet deklaron se kur sulmohet një shtet tjetër, quhet sikur është sulmuar edhe shteti i parë dhe se të dy vendet do të jenë në luftë, do të thotë se praktikisht vendi i parë ka marrë atë angazhim që përbën esencën e një aleance ushtarake formale. Pra, «propozimi antishqiptar dhe kundërrevolucionar i Çu En Lait» i vitit 1968, për zbatim fsahehtas të cilit qe akuzuar Beqir Balluku, më pas në 1982 qe politika zyrtare e shtetit shqiptar!?
Në romanin e Ismail Kadaresë, Mao Ce Duni mediton në vitin 1971 sesi do të zbatojë modelin e Revolucionit Kultural Kinez në Shqipëri:
«Ngadalshëm, si një verë të mirë që njeriut i pëlqen ta mbajë sa më gjatë në gojë për t’ia ndier sa më gjatë shijen, ai u përpoq të sillte ndër mend procesin e ardhshëm të kinezifikimit të Shqipërisë. Pas zhdukjes së inteligjencies dhe përçudnimit të shkollës, do të vinte zbehja e historisë, harresat e mëdha, zëvendësimi i heronjve dhe lindja e Lej Fenëve të parë shqiptarë. (Ç’ishin traktorët e parë përpara kësaj?) Thuhej se qysh tani ishin mbjellë me sukses ca lëvizje kineze në koreografinë e tyre. Ishin ende pak, si lulet e para, por do të shtoheshin dalëngadalë. Pas gjesteve do të vinin fjalët, pas fjalëve mendimet. Rezerva e evropianizimit të tyre do të pakësohej dalëngadalë si ujët në një kështjellë të rrethuar. Atëherë edhe një sulm i fundit dhe Shqipëria do të jepej... do të jepej se s’bën... Gati shtatë shekuj më parë Azia, për herë të parë, ia kishte vënë syrin këtij vendi. Ajo kishte mundur më në fund ta fuste në gjirin e saj, ku e kishte mbajtur pesë shekuj. Por Shqipëria, si një mace e egër, kishte mundur prapë t’i ikte Azisë në fillim të shekulli XX. Por kjo ishte era e fundit që ndodhte një gjë e tillë. Tani ajo s’kishte ku të vente më. Shurdhtazi, pa shpatë e pa bujë, ajo do t’i kthehej Azisë, këtë herë përjetë. Ky do të ishte një moment sublim në historinë mijëvjeçare të Kinës. Vendi i parë në botë do të kinezifikohej».[15]
E vërteta është se prishja shqiptaro-kineze filloi jo kur Kina hyri në epokën e errët të Revolucionit Kulturor, në 1966, por kur Kina doli prej saj dhe filloi hapjen nga Perëndimi. Ato gjëra që përmend Kadare, duke ia atribuar Mao Ce Dunit, sikur kërkon që t’ia bëjë Shqipërisë, në fakt qenë duke marrë fund në Kinë në atë kohë. Linja ultramajtiste e Revolucionit Kultural në atë kohë qe duke u mposhtur në Kinë. Në Shqipëri linja e Revolucionit Kultural Kinez gjeti ithtarin më të madh tek vetë Enver Hoxha, i cili e zbatoi atë nën sloganin e Revolucionarizimit të mëtejshëm të gjithë jetës së vendit. Në atë kohë, një ithtar i madh i kësaj linje qe edhe vetë Kadare. Në librin e Ismail Kadare «Linja të largëta» (1971) gjendet edhe shkrimi me titull «Nëpër Kinën e madhe», që është një reportazh nga një vizitë që ai ka bërë në Kinë, në tetor 1967, në kohën e të ashtuquajturit Revolucion Kultural Proletar Kinez, për të cilën më gjerësisht do të lexoni në faqet 447-468, në shkrimin me titull «Kur Ismail Kadare propagandonte revolucionin kultural kinez».
Gënjeshtra e Kadaresë, se ftohja e Enver Hoxhës me Kinën pas vitit 1971 e shpëtoi Shqipërinë nga një etapë edhe më e tmerrshme e Revolucionit Kultural Kinez, zbulohet nga fakti se Linjën e Revolucionit Kultural do ta vazhdonte Enver Hoxha në Shqipëri edhe pas prishjes me Kinën, madje kjo epokë vazhdoi deri në 1991. Të gjitha këto rrena Kadare i thotë që t’i paraqesë gjërat përmbys, pra sikur Enver Hoxha u prish me Kinën për ta nxjerrë Shqipërinë nga kursi tragjik i Revolucionit Kultural, kur e kundërta qe e vërtetë. Një provë për këtë është fakti se edhe në romanin e Kadaresë, që u botua në 1988, pra 10 vet pas prishjesshqiptaro-kineze, autori paraqet edhe Lej Fenin shqiptar, ose më saktë Çao Shi Venin shqiptar, në formën e një vajze të re intelektuale që quhej Linda dhe që punonte në një ministri. Në penën e Kadaresë, Linda - «Çao Shi Ven» shqiptar paraqitet si një ilustrim konceptesh propagandistike, në një mënyrë edhe më qesharake dhe të neveritshme se ç’do të qe sikur të linte zyrën në ministri dhe të shkonte të rriste derra. Linda është një adhuruese e izolimit enverian dhe pasi Kina u afrua me Perëndimin ajo pret të ketë bllokadë, gjatë së cilës ëndërron që të martohet me njeriun që pati qenë përkthyes i Enver Hoxhës në Moskë, në 1960. Kështu, Kadare i fton të rinjtë shqiptarë të gjejnë dhe të shijojnë romantizmin e izolimit enverian.
Në romanin e vet, Ismail Kadare letrarizon dhe versionin e Enver Hoxhës për të ashtuquajturin «puç ushtarak», që planifikuan të bënin Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako në 1974. Enver Hoxha, në fjalimin e mbylljes në Plenumin VI të KQ të PPSH, në 17 dhjetor 1974, fjalim që mbante titullin «Të thellohemi më tej në analizën e komplotit të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos dhe të nxjerrim mësime për punën e Partisë në ushtri e në terren»:
«Qëllimi i fshehtë i të tre armiqve ishte të bënin një puç fashist ushtarak, të merrnin fuqinë dhe të vendosnin në vendin tonë kapitalizmin. Ky sipas konkluzioneve që mund të nxjerrim nga të dhënat (pa marrë parasysh çka do të thonë, çka do të pohojnë ose nuk do të pohojnë vetë të tre këta armiq dhe të tjerë shokë të tyre), mund të arrihej duke goditur Komitetin Qendror, duke arrestuar udhëheqjen, duke zënë në befasi pozitat kyç, me një fjalë do të arrihej siç veprojnë gjithë kolonelët fashistë në vendet kapitalisto-revizioniste».[16]
Enver Hoxha, në librin e vet «Shënime për Kinën» shkruan, siç e kemi cituar në faqen 255:
«Komploti i Beqir Ballukut dhe i Abdyl Këllezit ishte i sinkronizuar me komplotin kinez. Çuja përgatiste që njëkohësisht me ndryshimet në Kinë të ndryshohej situata edhe në Shqipëri, për realizimin më lehtë të planeve të tyre lidhur me lëvizjen punëtore e komuniste dhe me marrëdhëniet tona e ato ndërkombëtare. Por Partia jonë e zbuloi dhe e likuidoi puçin e Beqir Ballukut dhe të Abdyl Këllezit».
Ismail Kadare i letrarizon në romanin e vet, i ka personazhe ish-ministrin e mbrojtjes Beqir Balluku dhe ish-kryeministrin kinez Çu En Lai. Në penën e Kadaresë, Beqir Balluku mediton kështu mbi një bisedë të veten me Çu En Lain:
«Madje, ndoshta e gjithë kjo kishte nisur shumë kohë më parë, qysh nga ajo mbrëmja e paharrueshme në Pekin, kur ai qe kthyer nga një shfaqje teatrale. Ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme, plot zagushi, dhe ai ndihej çuditërisht i eksituar. Donte të bisedonte, të rrinte pa gjumë, të hapte zemrën me dikë. Nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend se një dramë kineze do ta turbullonte kaq shumë. S’thoshin më kot se linja politike kineze më mirë se kudo dukej në teatër. Drama që kishte parë ishte vërtet e jashtëzakonshme. Në finalet e saj turma fitimtare e personazheve pozitive zvarriste për flokësh nëpër skenë sekretarin e parë të Partisë të një province. Si ju duk shfaqja e kishte pyetur Çu En Lai, në mbarimin e saj, ndërsa shpejtonte të dilte bashkë me një kryeministër afrikan, që e kishte shoqëruar në teatër. Ai s’dinte ç’t’i thoshte por sytë e Çu En Lait ishin gjithë mister. Do të shihemi ndoshta pas darke, i kishte thënë ai, sa të çoj gjer në shtëpi këtë mikun këtu, dhe i kishte treguar me kokë zezakun kryeministër.
Ndërsa vetura ecte nëpër natën e errët drejt vilës qeveritare, ai ndjente një trazim të pangjashëm me asgjë tjetër, një lloj ekstaze të përbërë nga një përzierje ngazëllimi dhe tmerri që s’i kishte provuar kurrë. Kjo ndjesi i kishte nisur që në sallën e teatrit, kur turma tërhiqte rrëshqanthi nëpër skenë sekretarin e Partisë. Ishte shija e përmbysjes së diçkaje të shenjtë e të paprekshme. E çuditshme se si kinezët, që shquheshin për ngushtësi dhe dogmatizëm, të kishin lejuar një shfaqje të tillë. Ishte kureshtar ç’do të thoshte Çu En Lai. Ata sytë e tij kishin një dritë të veçantë.
Pas darke Çu En Lai erdhi vërtet. Porsa i dha dorën i përsërit pyetjen: si ju duk shfaqja? Po si të them, i qe përgjigjur ministri, pakëz e çuditshme. Çu En Lai nuk ia hiqte sytë. Shfaqja ishte e mrekullueshme, tha Çu En Lai. Ministri ndjeu prapë dridhjen e ekstazës ta përshkonte tejpërtej. Qenë tërhequr për të biseduar kokë më kokë në një nga dhomat e vilës. Ndërsa dëgjonte tjetrin, ministri po vriste mendjen të gjente se si po guxonte Çu En Lai t’i fliste aq haptazi. Ashtu i flitej zakonisht njeriut që ia ke blerë mendjen që më parë. Mos vallë kishin përgjuar bisedat e tij me njërin nga ndihmësit, pikërisht me atë që ai ende s’qe hapur plotësisht, gjë që po gatitej ta bënte këtu në Kinë, pra mos i kishin përgjuar kur të dy, të entuziazmuar nga ajo çka ndodhte në Kinë, kishin lëshuar aty-këtu kritika për rrjedhën e punëve në Shqipëri? Kishte mundësi, aq më tepër që pakënaqësia e tyre lidhej pikërisht me kontrollin e rreptë nën të cilin Partia mbante gjithçka. Kurse në Kinë Partia qe bërë lëmsh. Që ushtria ishte mbi Partinë, kjo dukej haptazi, por me sa dukej kishte edhe organizma të tjerë mbi të. Ata natyrisht nuk ishin për një teprim të tillë, por sidoqoftë një dalje nga kontrolli ishte aq e domosdoshme tani. Në fund të fundit ishte e bezdisshme, për të mos thënë më shumë, që për çdo gjë të të thërrisnin në komitetin Qendror, të të kërkonin llogari. Kurse kinezët i kishin dhënë fund kësaj. Çdo komandant rrethi ushtarak ishte kokë më vete dhe s’donte të dinte se ekzistonte Komiteti i Partisë i rrethit, madje as Komiteti Qendror. E ç’humbi Kina nga kjo? Mos vallë u dobësua? Përkundrazi, më e fortë u bë.
Ja, vetëm kaq kishte biseduar me ndihmësin. Sa për fillim mjaftonte. Kishte mundësi që kinezët t’i kishin dëgjuar. Madje edhe në teatër i kishin çuar ndoshta pikërisht për këtë gjë. Sa më tepër që Çu En Lai fliste, aq më shumë ministri bindej se i kishte çuar në teatër pikërisht për këtë. Revolucioni është mbi të gjitha, thoshte ai. Çdo gjë e përmbys, s’njeh asgjë të shenjtë, madje as partinë. As partinë?, pyeste ministri duke u rrëqethur prapë nga ai ngazëllimo-tmerr i panjohur. Te ju, gjithashtu duhet të ndodhë kjo, vazhdonte Çu En Lai. Te ne një shfaqje e tillë teatrale s’lejohet kurrë, thoshte ministri. Ah, e di, te ju shumë gjëra s’lejohen, por kjo s’mund të vazhdojë gjatë, përgjigjej Çu En Lai. Kina po bëhet gati për ndryshime të mëdha. Këto ndryshime do të tronditin drejtpeshimin e globit tokësor. Shtrohet pyetja: ju do të na ndiqni apo jo? Në qoftë se po, do të vazhdoni të jeni miqtë tanë, ndryshe do të detyrohemi t’ju braktisim. Tani për tani jua themi këtë gjë miqësisht, ose, që të jem më i saktë, po jua them këtë gjë juve, thjesht në mënyrë intime, duke ju lutur që të mos e bisedoni me njeri. Do të ketë kthesë në botë, furtuna të paparashikuara, sidomos në Ballkan. Dhe në raste furtunash, siç thotë një vjershë e vjetër kineze, secili duhet të shpejtojë të gjejë folenë ku do të strehojë kokën. Qysh tani duhet menduar për këtë, ndryshe do të jetë vonë pastaj. Një ide e tillë për partinë, një aureolë e tillë do të ishte pengesë për çdo hap. Prandaj Maoja ynë i prishi aureolën partisë. Te ju gjithashtu... Po te ne një teatër i tillë s’lejohet. Mao Ce Duni ka besim te ju, vazhdonte Çu en Lai. Ka edhe shokë të tjerë shqiptarë, madje në udhëheqje, që i kuptojnë mirë këto gjëra... domethënë kjo që po bisedohet sonte me mua qenka biseduar edhe me të tjerë, mendoi ministri. Pas ç’teatri, baleti apo cirku ishte hapur vallë biseda? Vetëtimthi çoi nëpër mend ministrat dhe anëtarët e Komitetit Qendror që kishin qenë në Kinë, duke u përpjekur të merrte me mend se cilët mund të ishin ata... Çu En Lai vazhdonte të fliste. Biseda bënte ç’bënte e kthehej te partia. Tani për të flitej hapur si për pengesën kryesore për ecjen përpara. S’ishte e rastit që Mao Ce Duni kishte lejuar dy vija në parti. Po këtë, dramën e sotme, s’kishin për ta parë kurrë në teatër. Po te ne një dramë e tillë s’do të lejohej kurrë, tha më në fund ministri. E di, vazhdoi Çu En Lai. Po mund të bëhen të tjera gjëra. Ju rrëzuat kishat e xhamitë, apo jo? Ju shembët përtokë tempujt shekullorë, përse druheni aq shumë për të prekur një aureolë tjetër? Po te ne kjo është e vështirë, thoshte ministri. Është gati e pamundur. Ashtu duket në fillim çdo gjë, e pamundur, por pastaj sa të fillojë... Ministri befas u shkund. Kjo lojë e rrezikshme, sikur po teprohej. Si guxonte ai... kaq haptas... veç kësaj pa pikë respekti për të, thuajse i fliste një vasalit të tij... Pa dale, mendoi ai. S’do të ishte keq t’i vinte njëfarë kufiri. Ministri u tendos pas shpinës së kolltukut. Unë nuk ju kuptoj, shoku Çu En Lai, i tha me ftohtësi, madje i dha qafës prapa, si për ta theksuar edhe më ftohtësinë. Por krekosja nuk vazhdoi gjatë. Sytë e Çu En Lait e vështruan disa çaste rresht, ngultazi, pastaj ata nisën të ngushtoheshin përherë e më tepër, thua se po e shtrëngonin si me darë. Më parë keni qenë më i çelët, foli ai me zë të ulët. Miqtë tanë jugosllavë na kanë treguar diçka të dëgjuar ndoshta nga vetë goja e sovjetikëve, për ca bisedime tuaja private me ta, në prag të konfliktit shqiptaro-sovjetik më 1960. Me të vërtetë atëherë keni qenë më i çelët. Ministrit iu err bota. Mukoza e gojës iu përzhit sikur të kishte gëlltitur squfur. Kishte kujtuar se ajo histori qe mbyllur prej kohësh. Njëzet vjet kishin kaluar dhe sovjetikët për çudi, s’qenë ndier për të. Ai e kishte quajtur të varrosur dhe ja, papritur, tamam atje ku s’e priste, në mes të Pekinit... Ministri e humbi fare. Kështu e kishte humbur atëherë, më 1960, kur sovjetikët për ta detyruar të ulej në bisedë me ta, i kishin kujtuar lidhjet e tij të dikurshme me jugosllavët. Ne e dimë çka u keni thënë jugosllavëve më 1947... Ai kishte ngrirë i gjithi, dhe, fill pas mpirjes, mendimi i parë që i kishte ardhur kishte qenë: përse e kishin shitur jugosllavët? Me çfarë çmimi? Ndoshta vizita e Hrushovit në Beograd, kur i kërkoi ndjesë Titos? Ndoshta diçka tjetër, lidhur me Kosovën? Apo thjesht me kredi?
Dhe ja tani po e shisnin përsëri. Po kush po e shiste? Sovjetikët me kinezët ishin në thikë e në brisk, kështu që s’kishte si të ndodhte që ata t’ua kishin dhënë kinezëve... Atëhere mbeteshin prapë jugosllavët... Po ata s’kishin punë me të... qysh nga viti 1960 ai duhej të qe i sovjetikëve... Apo ndoshta... Mendimi mezi arrinte të piksej. Apo ndoshta sovjetikët, pas dështimit të një grupi të tyre, duke e parë se ishte e vështirë ta përdornin, ua rishitën atë prapë jugosllavëve, ashtu siç rishitet malli i zhvleftësuar? Dhe pastaj jugosllavët nga ana e tyre ua shitën kinezëve? Zinxhir pazarllëqesh, kalim dorë më dorë.
...Më kuptoni ç’dua të them vazhdonte të fliste Çu En Lai, por ai s’kishte kuptuar asgjë. Më falni, i tha, a mund ta përsëritni? Më falni, ju lutem. Çu En Lai nënqeshi qetësisht. S’ka gjë, s’ka gjë, tha me butësi, unë ju kuptoj... E pra që ta përsëris dhe një herë: ju mund të bëni diçka simbolike. Veprime të tilla kanë pasur e vazhdojnë të kenë rëndësi të madhe në një shtet; një veprim që në dukje mund të duket i zakonshëm, por që në një gjendje konkrete merr një kuptim të veçantë, një aleancë, një krushqi simbolike... Ju mund të bëni tjetër gjë. Një gjë, që në dukje ngjan e thjeshtë, por që kuptimin e ka të madh: për shembull gjatë një stërvitjeje ushtarake mund të rrethoni me trupa ose më mirë me tanke, një komitet partie. Nuk them Komitetin e Partisë të Tiranës, kjo do të ishte e parakohshme, por një komitet partie rrethi. Te ne në Kinë gjatë Revolucionit Kulturor qindra komiteteve partie iu vu zjarri, besoj se e dini. E pra, rrethoni me tanke një komitet partie rrethi. Siç thashë, ngjarja do të dukej e thjeshtë, dhe ashtu është vërtet, por simboli është i madh. Dhe populli është përherë i ndjeshëm ndaj simboleve. Fjala do të kalojë gojë më gojë, në formë pëshpërime, thashethemesh, hamendjeje, do të zgjojë mendime, shpresa. Ne në Kinë shumë aksione të mëdha i kemi nisur kështu, thjesht me një veprim simbolik».[17]
Shikoni, në fragmentin e mësipërm të romanit të Kadaresë përputhjen midis atyre që thotë Enver Hoxha për «puçistët» dhe atyre që thotë Kadare. Është e qartë se Kadare ka marrë tezat kryesore të Enver Hoxhës për frymëzimin dhe organizimin e «puçit» nga Kina dhe mbi këtë «vijë sjelljeje» si një operativ i mirë letrar i ka bërë të veprojnë personazhet e veta. Këtu, Kadare shtjellon atë që i ka atribuar Mao Ce Dunit të mendojë në fillim të romanit, pra se Mao Ce Duni ka udhëzuar Çu En Lain, kryeministrin kinez, që të përgatitë ndryshimin e kursit politik të Shqipërisë, deri edhe me anë të një komploti.
Një takim i ministrit shqiptar të mbrojtjes Beqir Balluku, me kryeministrin kinez Çu En Lai është bërë gjatë vizitës së Ballukut në Kinë në 1968. Ismail Kadare, në romanin e vet i paraqet gjërat sikur që atëhere Çu En Lai i bëri të ditur Ballukut sekretet e politikës së ardhshme kineze, pra afrimin me SHBA, që do të ndodhte në 1971-1972 dhe kursin e ri në politikën e brendshme që do të pasonte, që konsistonte në reformat e llojit kapitalist në ekonomi, në të cilat Kinën e futi pas vdekjes së Mao Ce Dunit, njeriu i Çu En Lait, Ten Hsiao Pini. Kjo duket qartë në bisedën e supozuar mes ministrit shqiptar të mbrojtjes dhe Çu En Lait, të dhënë nga pena e Ismail Kadaresë, kur Çu En Lai i thotë ministrit shqiptar, siç është cituar në faqen 261:
«Kina po bëhet gati për ndryshime të mëdha. Këto ndryshime do të tronditin drejtpeshimin e globit tokësor. Shtrohet pyetja: ju do të na ndiqni apo jo? Në qoftë se po, do të vazhdoni të jeni miqtë tanë, ndryshe do të detyrohemi t’ju braktisim».
Kështu, Çu En Lai, statisti i madh, me një sens realpolitik të admiruar deri edhe nga Henry Kisinger, do t’ia zbulonte sekretet më të mëdha të së ardhmes së politikës së jashtme kineze, ministrit shqiptar. E përse duhej ta ndërmerrte këtë rrezik Çu En Lai? Sepse Kina donte që ta tërhiqte edhe Shqipërinë e vogël në këtë politikë, pasi Kinës së madhe, që praktikisht po bëhej gati të hynte në aleancë me gjigandin e gjeopolitikës botërore, SHBA-të, i duhej dhe pesha e Shqipërisë që të ndryshonte drejtpeshimin (balancën e fuqisë) së globit tokësor?! Ec e mos qesh, sikur mos e dish që është Kadare ai që tallet me ne, në funksion të propagandës enveriane.
Dhe në episodin e mësipërm të romanit të Kadaresë, Çu En Lai, meqenëse ka nevojë për Shqipërinë që të ndryshojë drejtpeshimin e globit tokësor, në sens gjeopolitik, i sugjeron ministrit shqiptar që të bëjë diçka për ta futur Shqipërinë në kursin e ri ku pati hyrë Kina. Për absurditetin e teorisë së mësipërme të Kadaresë, të kopjuar nga Enver Hoxha, jam shprehur më lart. Por, absurditetet më të mëdha vijnë më tutje në romanin e Kadaresë, ku ministri i mbrojtjes D (Beqir Balluku) merr urdhër nga kinezët që të bëjë prova për puçin e ardhshëm, madje Çu En Lai i sugjeron dhe mënyrën, rrethimin me tanke të një komiteti partie gjatë një stërvitjeje ushtarake:
«Shumë kohë më vonë, pas ikjes nga Kina, atij i kishte mbetur në mendje ajo që s’dinte si ta quante: porosi, këshillë apo urdhër të Çu En Lait. Madje edhe në tru kështu i rrinte kutullaç, me një fjalë që s’gjendej në gjuhën shqipe, ‘këshillurdhër’ dhe që i zgjonte ndjesinë e një gjarpri. Atij i kujtohej sa herë që i telefononin nga Komiteti Qendror, e sidomos kur i thoshin të vente atje. Ç’jam unë, dreqi e mori, hungëronte me vete, ministër apo inspektor poste, që të më thërresin kur të duan?
Megjithatë ndoshta nuk do të guxonte të bënte diçka, qoftë edhe simbolike, siç kishte thënë Çu En Lai, sikur kryeministri kinez të mos i dërgonte pas ca kohësh të fala me anëtarin e një delegacioni qeveritar. Marrëdhëniet nuk ishin më aq të përzemërta si më parë. Ishin në darkën qeveritare në Pallatin e Brigadave, kur kinezi që kishte përkrah, të cilit gjer atëherë s’i kishte kushtuar asnjë vëmendje, madje s’i kishte parë mirë as fytyrën, nisi t’i fliste me një shqipe të çalë: shoku Çu En Lai dërgon ju shumë të fala, shoku Çu En Lai kujton ju përherë. Keni qenë teatër, shfaqja mrekullueshme, apo jo? Hi-hi-hi, qeshte kinezi me një të qeshur kafke, që s’kishte asnjë lidhje me fjalët që thoshte. Ato sa vente bëheshin më të hapëta, nganjëherë në formë mesazhi, nganjëherë me njëfarë kërcënimi midis. Koha për të cilën foli shoku Çu En Lai ka afruar. Koha e provës, hi-hi-hi... Secili duhet bërë diçka, jo duarlidhur, prit llokumin gojë, hi-hi-hi... Koha vështirë afron, hi-hi...
Ministrit i mbeti piruni në dorë. Oreksi iu pre në çast. Domethënë asgjë s’ishte harruar nga biseda e asaj nate. Koha e ndryshimeve me sa dukej po afronte dhe ata po i thoshin haptas se prisnin diçka prej tij... Duhet bërë diçka sa s’është vonë, mendoi, qoftë dhe simbolike, sa për t’u mbyllur gojën. Një shpërblim për heshtjen lidhur me sovjetikët dhe jugosllavët. Diçka simbolike, zvarrisja në skenë e sekretarit të Partisë, rrethimi me tanke i një komiteti Partie rrethi... Pastaj... në qoftë se fillonte vërtet ndonjë furtunë, siç kishte thënë Çu En Lai... dhe në qoftë se edhe të tjerët do të vepronin... ai ishte gati t’i dërgonte tanket rreth Komitetit Qendror... Po tani për tani le të mjaftohej me kaq... Një veprim simbolik... Ishte tamam koha përpara një loje ushtarake... Shoku Enver si është me shëndet?, pyeste kinezi. Ministrit i qe bërë goja helm. Sa të mbaronte kjo darkë e mallkuar».[18]
Kështu, në romanin e Kadaresë, ministri shqiptar i mbrojtjes vendos ta kryejë, si të thuash një ushtrim paraprak të puçit, pasi mori porosinë-urdhër të Çu En Lait, kryeministrit kinez. Dhe më tutje në roman ministri shqiptar i mbrojtjes e bën më në fund veprimin përgatitës të puçit:
«Mirëpo ankthi i vazhdoi disa javë më pas, gjer atë pasdite të ftohtë kur, pas një mijë lëkundjesh, e dha më në fund urdhërin për rrethimin e Komitetit të Partisë. Ishte krejt si i mpirë gjithë atë pasdite, ecte poshtë e përpjetë brenda çadrës së fushimit, dilte herë pas here te hyrja e saj, me vështrimin të ngulur në fushë, sikur priste që andej të vinte një lajmëtar. Dhe lajmëtari erdhi vërtet ndaj të ngrysur. Urdhri nuk qe zbatuar... Oficerët tankistë nuk u bindën për rrethimin e komiteit të Partisë të qytetit, raportoi ndërlidhësi me një zë të lodhur, pa ngjyrë, dhe ai ndjeu befas se diçka u zgavrua brenda tij. Si?, thirri. Si guxojnë të thyejnë një urdhër dhe, ndërsa ndërlidhësi me po atë zë pa ngjyrë nisi të shpjegonte diçka, ai nisi të bërtiste përherë e më fort, në mënyrë që të mos dëgjonte fjalët e tjetrit që po i dukeshin tani të kobshme. Në arrest, thërriste, menjëherë në arrest. Megjithatë diçka nga shpjegimi i shkurtër i ndërlidhësit i arriti gjer në vesh... Tanket e ushtrisë... kishin thënë oficerët... në çfarëdo rrethanash... s’mund të rrethojnë një komitet partie... sepse... sepse... Në arrest, vazhdonte të thërriste ai, në arrest... Ai qe shtangur në vend, ishte futur brenda, që të tjerët të mos shihnin se si po prishej në fytyrë, nuk donte të dëgjonte shkaqet e refuzimit për zbatimin e urdhrit, bënte sikur s’kuptonte, dhe, ndërsa thërriste ‘në arrest, në arrest’, mendonte se ndoshta ishte më mirë ta mbyllte këtë çështje, ta mbyllte në çast, atë minutë, atë sekondë, që askush të mos merrte vesh asgjë, që të harrohej që qe dhënë një urdhër i tillë, atë ditë dhe në ditët e tjera më pas dhe në jetë të jetëve».[19]
Në fjalimet e Enver Hoxhës, në mbledhjet ku u zbulua dhe u eliminua «puçi ushtarak», nuk bëhet fjalë për rrethimin me tanke të një komiteti partie. Enver Hoxha, në fjalën e mbylljes në Plenumin V të Komitetit Qendror të PPSH, në 26 korrik 1974, me titull «Forca e pathyeshme e udhëheqjes marksiste-leniniste të Partisë sonë qëndron në unitetin e mendimit dhe veprimit»,[20] ku ministri i mbrojtjes Beqir Balluku u përjashtua nga Byroja Politike, Komiteti Qendror, nga partia, si dhe u shkarkua nga posti i ministrit të mbrojtjes dhe zëvendës kryeministrit dhe u internua, nuk u tha asgjë për një urdhër të dhënë prej tij për rrethimin me tanke të një komiteti partie. Madje kjo gjë nuk thuhet as në librin «Shënime për Kinën» ku Enver Hoxha shtjellon fantazitë e veta për involvimin e kinezëve në «komplotin» e zbuluar prej tij në vitet 1973-1975, në Shqipëri. Është një gjë shumë cinike dhe sadiste që Ismail Kadare, në një roman ku bëhet fjalë për ngjarje të vërteta historike dhe ku pas disa prej personazheve qëndrojnë persona realë, siç është rasti i ministrit të mbrojtjes D (Beqir Balluku), disa prej të cilëve në kohën që u shkrua dhe u botua romani qenë eliminuar prej diktatorit edhe fizikisht, t’i ngarkojë ata me faje që nuk i kanë bërë. Madje, në romanin e Kadaresë, ministri i mbrojtjes D (Beqir Balluku), pasi ka tentuar pa sukses të bëjë provën e puçit, kërkon të mbulojë gjurmët, me veprime kriminale, me gjasë për të pasur mundësi që të ndërmerrte veprime të reja:
«Pastaj e kuptoi se ngjarja nuk mbyllej dot vetvetiu. Oficerët kishin folur andej-këndej. Në qoftë se ata nuk do të dënoheshin, do të merrnin ndoshta guximin të flisnin më tepër. U duhej mbyllur goja me çdo mënyrë. Një nga mënyrat për t’i trembur ishte përjashtimi nga Partia, gjë që ai s’e pati të vështirë ta organizonte. Mirëpo, pas përjashtimit, oficerët, me sa duket, i kishin shkruar letër Enver Hoxhës. Telefonimi i tij atë darkë atë gjë tregonte. Ministri nuk kishte fjetur gjithë natën. Kuptohej menjëherë që i duheshin dhënë sqarime Komitetit Qendror. Një nga njerëzit e afërt ia mbushi mendjen se ato fjalë që kishin thënë oficerët kundër tij, mund të interpretoheshin fare mirë si agjitacion e propagandë kundër pushtetit. Në relacionin që iu dërgua Komitetit Qendror nuk u harrua asgjë. Në fund shprehej mendimi se shprehja e oficerëve ishte e dënueshme nga ligjet e Republikës. Pas dy javësh, kur u kërkua nga Komiteti Qendror një përgjigje se ç’duhej bërë me oficerët, andej s’erdhi veçse një njoftim i shkurtër: ‘Në qoftë se kanë shkelur ligjet, të veprohet si për të gjitha rastet kur shkelen ligjet’. Ashtu?, kishte thënë ministri duke fërkuar duart, domethënë Komiteti Qendror hoqi dorë prej jush? Tani di unë ç’të bëj me ju, pëllumbat e mi. Për herë të parë pas shumë netësh ai fjeti i qetë. Pastaj e vrau mendjen se ç’duhej të bënte: t’i linte oficerët të qetë, apo të përfitonte nga rasti për t’i futur në burg? Në të vërtetë do ta kishte mposhtur ndjenjën e hakmarrjes dhe nuk do t’i ngacmonte më, sikur të mos kishte pasur frikë se ata do të flisnin përsëri. Burgu, pa dyshim, ishte më i sigurt. Këtë mendim patën edhe ndihmësit e tij. Njërit prej tyre i shkoi ndër mend që arrestimi të bëhej pas dëbimit të tyre nga ushtria, në mënyrë që çështja të trajtohej thjesht si politike».[21]
Kështu pra, sipas Kadaresë, qenë «puçistët» ata që duke abuzuar me zemërgjerësinë e Enver Hoxhës, në «shtetin ligjor» të të cilit njerëzit nuk arrestoheshin para se për ta të mblidheshin të gjitha «provat», që kryenin arbitraritete kriminale, kundër njerëzve të ndershëm që nuk pranonin të bashkëpunonin me ta, duke u vetëzbuluar deri në fund. Këtu Kadare vazhdon të ushtrojë privilegjin e vet për t’i atribuar Enver Hoxhës gjëra të paqena, por që ky do të donte të kishin ndodhur. Në romanin e Kadaresë, Enver Hoxha sinjalizohet për komplotin nga oficerët tankistë komunistë që ministri i përjashtoi nga partia. Por, Enver Hoxha, në fjalimin e mbylljes në Plenumin VI të KQ të PPSH, në 17 dhjetor 1974, fjalim që mbante titullin «Të thellohemi më tej në analizën e komplotit të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos dhe të nxjerrim mësime për punën e Partisë në ushtri e në terren», u shpreh:
«Fakt është se asnjë informacion dhe asnjë konkluzion nuk i ka ardhur Komitetit Qendror nga Partia në terren për gabimet dhe fajet e ushtarakëve që rrojnë në terren. Asnjë informatë nuk i ka ardhur Plenumit të Komitetit Qendror as nga vetë anëtarët e Plenumit të Komitetit Qendror. Vihet çështja: Atëhere ku duhet të mbështetet Byroja Politike e Komitetit Qendror? Mos vallë vetëm në aparatin e vet? Të gjithë mund të thonë: Jo! Atëhere përse nuk bëhet si duhet kjo detyrë?» [22]
Në romanin e Kadaresë, ministri «puçist», që fillimisht lihet nga Enver Hoxha dhe udhëheqësia komuniste që të ushtrojë detyrën, edhe pasi mësohet veprimi i vet kriminal, izolohet nga masa e gjerë e partisë dhe popullit, po të përdor një shprehje të kohës:
«Ai kishte kujtuar se pas burgosjes së tankistëve do të qetësohej përfundimisht, mirëpo kishte ndodhur e kundërta. Pikërisht atëhere filloi të vinte re heshtjet e gjata të telefonit dhe rrallimin e vizitave... Fjala hapet gojë më gojë, kishte thënë Çu En Lai, pëshpërima në një shtet është po aq e fuqishme sa shtypi i përditshëm. Pra, në qoftë se ai do ta bënte rrethimin e Komitetit të Partisë për hir të kësaj pëshpëritjeje, kjo do të thoshte se besonte shumë në të. Atëherë, në qoftë se besonte aq shumë në të, në qoftë se ajo ishte aq shumë e fuqishme, ishin të kuptueshme edhe rrallimet e vizitave dhe heshtjet e telefonave. Fjala ka shkuar gojë më gojë: ministri ka urdhëruar rrethimin e një komiteti partie, tankistët nuk i janë bindur dhe ata janë vërtet në burg për këtë mosbindje, po vallë urdhri i ministrit ka qenë i drejtë? Ja, kjo mjaftonte që njerëzit t’i largoheshin atij si kolerës. S’kishte nevojë për artikuj kritikë në shtyp, shkarkim nga detyra etj. Pëshpërima ishte më e fuqishme se të gjitha këto. Pëshpërima e mallkuar, thoshte me vete».[23]
Dhe më tutje, në roman, ministri «puçist» mediton:
«Bëra ç’munda, më besoni, përsëriste me vete fjalët e tij në një dialog të përfytyruar me Çu En Lain. Edhe rrethimin me tanke të një komiteti partie, siç më këshilluat ju, u përpoqa ta bëj, po s’ishte e mundur. Madje desh lashë kokën në të. Te ne ajo gjë s’bëhet më besoni. S’e prek dot atë, Partinë, më besoni, as në formë simbolike, siç thatë ju, pale pastaj vërtet... Të përvëlon, më kuptoni, të djeg si valë... Thuamëni të bëj hatanë më të madhe, veç këtë jo... Ububu, këtë kurrsesi...» [24]
Sipas shkollës juridike sovjetike të Vishinskit, Prokurorit të gjyqeve politike të Moskës në kohën e Stalinit, «komplotistët» kundër shtetit sovjetik që qenë marrë të pandehur duhej që me cdo kusht ta pranonin fajësinë e tyre dhe vetëm pastaj mund të nxirreshin në gjyq. Duke u bërë praktikisht pjesë e propagandës zyrtare dhe madje të akuzës, të pandehurit e këtyre proceseve, në gjyq ata duhej të recitonin liturgjitë e rëndomta të kriminologjisë bolshevike se ata dështuan në veprimet e tyre kriminale, pasi popujt sovjetikë qenë vigjilentë dhe i izoluan ata në veprimtarinë e tyre kundër pushtetit sovjetik. Ismail Kadare i zbaton parimet e kësaj shkolle, duke e bërë ministrin D që të meditojë për dështimin e vet, kur gjendet i izoluar nga populli, që e shikon atë si fajtor, edhe pse zyrtarisht ai ende nuk është akuzuar për asgjë. Kështu që, Enver Hoxhës nuk i mbetet tjetër veç të bëhet përmbushës i vullnetit popullor dhe të arrestojë dhe pushkatojë ministrin «puçist» dhe bashkëpunëtorët e tij. Por, Enver Hoxha është një njeri zemërgjerë. Edhe pas pëshpërimës popullore ai nuk e arreston ministrin D, por vetëm e kritikon në një plenum që në romanin e Kadaresë përshkruhet kështu:
«Në qendrën e sallës, në fytyrat e një grupi ushtarakësh kaloi një ndriçim i pakapshëm lehtësimi. Gjithçka do të bjerë mbi ta, mendoi si i mpirë ministri D. Larg prej nesh, sa më larg, sa më larg prej nesh, vazhdoi të pëshpëriste me vete në formë lutjeje.
- Për të ndërruar kursin e tyre të përgjithshëm, pra për t’u afruar me imperializmin amerikan, kinezëve iu desh më parë të përgatisnin terrenin e të zhduknin pengesat. Një nga këto pengesa qe Partia. Dhe kështu ata e vunë Partinë nën kërbaçin e ushtrisë dhe nën terrorin e gardistëve të kuq, pra praktikisht e eliminuan atë.
Enver Hoxha pushoi disa çaste. Sytë e tij sikur kërkonin diçka në sallë. Ministrit D. iu duk se kolonat në të djathtë të sallës ishin anuar pak.
- Ka edhe te ne njerëz, dhe jo njerëz dosido, por me poste të larta, që, nën shembullin e kinezëve, apo ndoshta me nxitjen e tyre, këtë do ta tregojë koha, deshën të bënin të njëjtën gjë.
Ai bëri prapë një pushim të shkurtër. Grupi i ushtarakëve, te të cilët qe drejtuar tashmë vështrimi i tij, rrinte i shtangur.
- Të përpiqesh të rrethosh me tanke një komitet partie, kjo është një lloj si të bësh provën për një puç ushtarak.
Mbaroi, tha me vete ministri D. Nuk ia merrte mendja se gjithçka mund të përfundonte kaq papritur. Kolonat që gjer atëherë i qenë dukur të anuara drejt tij tani i ndjeu t’i binin mbi kokë njëra pas tjetrës mizorisht. Midis goditjes së tyre, zëri i Enver Hoxhës vinte i largët dhe gjëmues:
- Unë nuk mund të them se kjo është bërë me qëllim dhe s’do të desha ta besoj një gjë të tillë, por kryesorja nuk është kjo.
Ai bëri një pushim të shkurtër para se të shtjellonte mendimin. Kryesorja ishte se një urdhër i tillë nuk u zbatua dhe urdhra të tillë nuk zbatoheshin kurrë në Shqipëri nga kushdo që të jepeshin. Dhe kjo ishte gjëja më e merekullueshme. Jo në mënyrë administrative, jo me dekrete e urdhra, përkundrazi, edhe në kundërshtim me to po të ishte nevoja, vihej në lëvizje ai mekanizëm i thellë popullor që, në mënyrë të vetvetishme pa pritur urdhër prej askujt, mbronte Partinë, mbronte shtetin e vet në rast rreziku. Prandaj kinezët, sado dinakë të ishin nuk e kuptonin dot Shqipërinë. Dhe prandaj të gjitha llogaritë e tyre, sado të stërholluara të ishin, ishin të gabuara.
A thua se ka ende pakëz shpresë, mendoi ministri. Thua s’ka marrë fund gjithçka? Unë s’mund të them se është bërë me qëllim, dhe s’do të desha ta besoj një gjë të tillë... Ai deshi të thërriste, ashtu është, ashtu, pa qëllim, duke u përpjekur të ngrihej midis gërmadhave të kolonave që po i merrnin frymën».[25]
Në rast se Enver Hoxha do t’ia kishte thënë dikujt këto fjalë që Kadare ia ve në gojë sikur ia ka thënë ministrit të mbrojtjes në një plenum të Komitetit Qendror, atëhere ky njeri do të qe arrestuar me të dalë nga salla e mbledhjes, siç ndodhi për shumë më pak, me të ashtuquajturit «puçistë», për të cilët Enver Hoxha në mbledhjen e plenumit jepte verdiktin: «Të dorëzojë teserën e Partisë dhe t’i kalojë gjyqit!» Dhe ata arrestoheshin me të dalë nga salla. Enver Hoxha nuk qe një njeri i tillë që pasi i thoshte dikujt se pati dashur të ndryshonte kursin e vendit duke e orientuar drejt SHBA-ve dhe madje për këtë ky dikush pati vënë në veprim dhe tanket, të thoshte: «Unë nuk mund të them se kjo është bërë me qëllim, dhe s’do të desha ta besoj një gjë të tillë».
Duke i atribuar diktatorit këtë urtësi që ai nuk e kishte, Kadare ka dashur ta paraqesë atë ndryshe nga ç’qe në të vërtetë. Dhe kurrkush nuk e detyronte Kadarenë që ta bënte Enver Hoxhën personazhin e librit të vet. Ai e ka bërë me dëshirë këtë gjë. Plenumi, që përshkruan Kadare në romanin e vet, duhet të jetë Plenumi V, në 25-26 korrik 1975, ku u dënua për herë të parë Beqir Balluku, u shkarkua nga posti i ministrit dhe u përjashtua nga partia. Në fjalën e Enver Hoxhës në këtë plenum,[26]nuk ka kurrgjë prej këtyre që thotë Kadare. Atëhere del se në roman Kadare zhvillon më tej fantazinë komplotzbuluese të Enver Hoxhës, duke dëshmuar se ai Kadare, paska pasur nga regjimi enverian edhe një privilegj të posaçëm që vështirë se e ka pasur ndonjë shkrimtar tjetër në botën komuniste, atë që të vejë në gojën e diktatorit gjëra të pathëna prej tij, madje edhe në mbledhje zyrtare, dokumentet e të cilave janë botuar. Dhe kuptohet se përse i është toleruar kjo gjë Kadaresë. Enver Hoxhës dhe regjimit komunist i ka pëlqyer shumë fakti që fantazia e Kadaresë i rëndonte «puçistët». Me këtë gjë, Ismail Kadare është bërë bashkëfajtor në terrorin enverian.
Atë që thotë Kadare, për dhënien e urdhrit nga ministri i mbrojtjes (Balluku) për rrethimin me tanke të një komiteti partie, Enver Hoxha nuk e ka thënë as në fjalën me titull «Të spastrojmë me fshesë të hekurt veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut, të nxjerrim mësime për forcimin e mëtejshëm të punës së partisë në ushtri», që mbajti para ushtarakëve të lartë, në Durrës, në 14 tetor 1974, ku zhvilloi më tej fantazitë e veta për puçin.[27]
Është e vërtetë se në Plenumin VI të KQ të PPSH, që u mbajt në dhjetor 1974, për të zbuluar «komplotin» në ushtri, në 16 dhjetor 1974 u zhvillua ky dialog mes Mehmet Shehut, kryeministrit të kohës dhe Petrit Dumes, shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësministrit të mbrojtjes:
«MEHMET SHEHU: Po të ngresh në këmbë ushtrinë dhe të arrestosh Komitetin Qendror dhe Qeverinë, t’i likuidosh ato, ç’është? Të rrethosh Komitetin Qendror me tanket e tua e ta asgjësosh atë, ashtu siç bëri Zhukovi në Kremlin, ç’do të thotë kjo?
PETRIT DUME: Tradhti e lartë.
MEHMET SHEHU: Tradhti e lartë! A nuk je ti një Zhukov i Shqipërisë?
Por kjo nuk u provua dhe në fjalën mbyllëse të Enver Hoxhës në Plenum nuk u përmend fare, pra nuk e përmban këtë akuzë të Mehmet Shehut.[29]Gjithashtu, nuk thuhet as në një dokument të shkruar nga Enver Hoxha për të sqaruar ushtrinë për komplotin dhe që në 9 janar 1975 u shpërnda në organizatat-bazë të PPSH, në ushtri dhe tek oficerët në formën e një broshurë me titull «Ti futemi thellë studimit të teorisë së artit ushtarak».[30]
Dhe në romanin e Kadaresë ministri i mbrojtjes nuk shkarkohet në plenum dhe nuk përjashtohet nga partia e internohet, sikur ndodhi në realitet, por duke përfituar ngaqë u la i lirë dhe, në postin e mëparshëm, tentoi të zhdukë gjurmët e veprimtarisë së vet «kriminale» (një apel i Kadaresë ky që «komplotistët» duhen arrestuar që kur lindin «dyshimet» e para për ta):
«Plenumi u mbyll pasdite vonë. Ndërsa anëtarët e Komitetit Qendror dilnin grumbuj-grumbuj nga salla, ministri D. arriti t’i pëshpëriste njërit prej ndihmësve të tij të bërë baltë në fytyrë:
- Të lirohen tankistët menjëherë.
- A nuk është pak vonë? - tha ndihmësi me një fije zëri.
- Të lirohen menjëherë - hungëroi nëpër dhëmbë ministri».[31]
Në roman ministri i liron oficerët tankistë nga burgu që t’i përdorë për të ndërtuar alibinë e vet:
«Në të vërtetë për këtë gjë e kishte thirrur tankistin, që të nxirrte prej tij pohimin se vërtet ata e kishin interpretuar urdhrin si diçka që prekte Partinë, duke e vënë nën kontrollin e ushtrisë etj. etj., por nuk e kishte shpjeguar me fjalë këtë interpretim. Dhe shkalla e fajit të ministrit, kur ishte fjala për këmbënguljen e tij për dënimin e tyre, varej pikërisht nga kjo: e dinte ai motivin e mosbindjes së tankistëve, apo jo? Po ta dinte kuptohej që faji ishte i drejtpërdrejtë, sepse urdhri për rrethimin e komitetit të Partisë dilte nga sfera e gjërave të rastësishme (s’na shkoi mendja për këtë, se, po të na shkonte u-pu-pu, si mund ta jepnim një urdhër të tillë), dhe hynte në veprime të ndërgjegjshme. Kurse, po të mos e dinte, faji lehtësohej, zemërimi i ministrit përligjej fare thjesht, se nuk ka ushtarak në botë që të mos zemërohet kur i kthehet mbrapsht një urdhër, e aq më tepër kur ky ushtarak është ministër.
Ja, këtë kishte dashur të nxirrte ai: të pranonin tankistët që s’kishin bërë sqarime. As kaq nuk po i jepnin? Kurse e kishin fare të lehtë: edhe ne, shokë, pavarësisht se u treguam syçelë në gjënë kryesore, më të kujdesshëm duhej të ishim treguar në përgjithësi, le të na shërbejë kjo si mësim në punën tonë etj. etj. ca fjalë të zakonshme mbledhjesh, porositë e Partisë, zotime për të ardhmen etj. etj. ca fraza të tilla dhe e shpëtonin edhe atë. Pastaj dinte vetë ai ta tirrte: një autokritikë të fortë për gjaknxehësi, prepotencë, arrogancë, mosthellim në studimin e dokumenteve të Partisë, të veprave të shokut Enver dhe fësht kalonte hendekun».[32]
Në romanin e Kadaresë, jo vetëm që Enver Hoxha nuk e shkarkon dhe e arreston ministrin edhe pasi merr vesh se ka urdhëruar rrethimin me tanke të një komiteti partie (me këtë Kadare kërkon të thotë se Enver Hoxha mendohej shumë dhe i peshonte gjërat mirë para se të arrestonte zyrtarët e lartë për tradhti të lartë, jo siç thoshin armiqtë se ai u priste kokat bashkëpunëtorëve të vet si një stalinist gjaksor), por madje qe vetë ministri, i cili ka terrorizuar oficerët që nuk e zbatuan urdhrin, duke urdhëruar që ata të përjashtohen nga partia dhe të arrestohen. Pra, me këtë, Kadare kërkon të thotë se «puçistët» qenë ata që kryen akte arbitrare represive, për të fshehur gjurmët, për çka dënimi i tyre qe i drejtë.
«Çdo mëngjes që gdhihej, shkonte me shpresë se do të lirohej nga ai ankth, por s’ishte e mundur. I kishte provuar të gjitha, kishte bërë mbledhje të njëpasnjëshme me vartësit, vetëm për të vënë re a e kishte të plotë autoritetin mbi ta, kishte ngritur zërin, kishte dhënë urdhra dënimi, i kishte rënë me grusht tryezës së mbledhjes sa qe lëkundur mbi të vazoja me lule, kishte bërë kërcënime, por prapë prej ndjesisë së ankthit s’kishte shpëtuar dot. Diçka bëhej fir në çdo fjalë dhe gjest të tij, kërcënimet ngjanin si të pavërteta, të dënuarit në çastin e fundit dukej sikur mezi fshihnin një buzëqeshje, madje edhe zhurma e grushtit mbi tryezë sesi qe, e shurdhët, si goditja mbi shtuf, saqë atij i kishte ardhur të ngrinte cohën e kuqe për të parë ç’kishte nën të, dru apo dreqi e di çfarë.
Ishte apo s’ishte ministër? Në qoftë se puna kishte arritur gjer në këtë shkallë, pra në qoftë se ata mendonin kështu, atëherë le ta shkarkonin një orë e më parë dhe të merrte fund kjo histori. Kështu fliste nganjëherë me vete, por aty për aty mendimi i ngrinte në vend. Kush ishin ata që mendonin ashtu dhe që mund ta shkarkonin? Në të vërtetë të gjithë ata që e torturonin s’qenë veç vartës të tij, disa herë krejt të parëndësishëm, të cilët s’kishin shkarkuar kurrkund në jetën e tyre, asnjë protokollist të thjeshtë apo portier. Atëherë si mund ta shkarkonin atë? E megjithatë mendonte se sado e pakuptimtë të dukej, ata ishin bërë mallkimi i tij».[33]
Dhe më tutje Kadare vazhdon t’i atribuojë ministrit mendime puçiste:
«Turbull i silleshin në kokë emra kolegësh të tij në vende të tjera, jot ë Amerikës Latine, ku tre-katër kolonelë të bashkuar tmerronin qeverinë, por vende më serioze, ku megjithatë ministrant e luftës i merrnin me të mirë dhe të gjithë ua kishin frikën. Kurse ai, për ironi të fatit, jo vetëm që s’i fuste më frikën njeriut, por vetë ua kishte frikën të gjithëve, edhe, ç’ishte më e hidhur, ua kishte frikën jo vetëm njerëzve të caktuar, por edhe atyre me të cilët s’e lidhte asnjë punë, si atij nëpunësit të vogël që s’ia mbante mend as emrin, e edhe më keq turmave të të panjohurve, të cilët ngaqë ishin të tillë, i dukeshin edhe më të lemerishëm».[34]
Enver Hoxha, në librin «Shënime për Kinën» thotë se pari passu me ftohjen e marrëdhënieve ideologjike midis dy vendeve erdhi dhe ulja e ndihmave ekonomike kineze (Enver Hoxha e quan këtë «bllokadë») dhe se paralel me këtë kinezët ideuan dhe organizuan «komplotin». Enver Hoxha në 1975 shkruan në ditarin e vet:
«Është e vërtetë se kinezët na akorduan një kredi të mirë për pesëvjeçarin e pestë, por janë larg plotësimit të detyrimeve të tyre. Nga 35 vepra që do të na jepnin gjithsej, vetëm 10 a 15 na dhanë. Disa vepra as që i kemi filluar dhe kjo jo për fajin tonë. Tri vepra të mëdha, metalurgjinë, Fierzën dhe Ballshin, për të cilat na u desh të bënim një luftë të madhe, mezi i filluam. Megjithatë, përfundimi i tyre u shty për një ose dy vjet tej afatit të caktuar me kontrata. Dhe kjo u bë jo për fajin tonë.
Të gjitha këto ndodhnin në atë kohë që Beqir Balluku po organizonte komplotin ushtarak dhe Abdyl Këllezi me Koçi Theodhosin na sabotonin naftën dhe ekonominë në përgjithësi. Të rastit ta quajmë këtë koordinin me qëllime dhe në kohë? Po, kur likuiduam puçin tradhtar ushtarak, kur i dhamë goditjen Abdyl Këllezit me kompani, a nuk na treguan kinezët dhëmbët e ujkut? Ka shumë mundësi që Abdyl Këllezi, duke qenë njeriu i jugosllavëve, të ishte njëkohësisht edhe i kinezëve. Ky pra, na del një komplot shumë i gjerë, me pjesëmarrje të shumë shteteve armiq, të cilat duan të ndryshojnë me dhunë gjendjen në Shqipëri».[35]
Gjithashtu, Enver Hoxha shkruan:
«Çuja pra, e humbi luftën që të na rrëzonte nga brenda dhe, në pamundësi të vepronte ndryshe, përdori armën e bllokadës ekonomike. Ai dhe grupi i tij mendojnë, si revizionistë, se ne do të izolohemi, do të vdesim urie dhe do të gjunjëzohemi».[36]
Në romanin e Kadaresë ngjarjet në finalen e miqësisë shqiptaro-kineze ecin sipas kësaj linje. Kadare shkruan:
«Asnjë nga vaporët e mëdhenj, të nisur siç thuhej me një urdhër të drejtpërdrejtë të Mao Ce Dunit, nuk kishte mbërritur në Durrës, madje nuk dihej nëse kishte kaluar Gjibraltarin, megjithatë punëtorët dhe inxhinierët e njërit prej hidrocentraleve të Veriut qenë bërë gati për montimin e turbinave që pritej të vinin nga Shangai. Po ashtu në Kombinatin Metalurgjik priteshin materialet e fundit për të bërë ndezjen e furrnaltës së parë. Biseda e vaporëve bëhej kudo, dhe lajmet për ta ishin kaq të kundërta me njëri-tjetrin, saqë dalëngadalë ecja e tyre nëpër dete e oqeane nisi t’i ngjante një endjeje fantazmash që kishin humbur drejtimin nëpër mjegull. Kishte zëra që thoshin se e gjithë kjo ishte e llogaritur me përpikëri nga kinezët për të krijuar një ndjenjë ankthi në Shqipëri. Enver Hoxha kishte folur për këtë në fjalën e mbylljes së Plenumit të Komitetit Qendror. Ndërsa fliste sytë e tij rrëshqisnin ngadalë tek ai kënd i sallës ku rrinin së bashku disa nga anëtarët e qeverisë që merreshin me ekonominë».[37]
Derisa më lart autori ve në gojën e Çu En Lait fjalët se në Shqipëri ka njerëz të Kinës në udhëheqje, pra komplotistë, atëhere këtu bëhet i bazueshëm dyshimi i Enver Hoxhës se në këtë plan të kinezëve për presion ekonomik, kanë dorë edhe këta drejtues të ekonomisë shqiptare që shpejt Enver Hoxha do t’i shpallte komplotistë dhe do t’i dënonte me pushkatim dhe burg.
Në roman, me fjalët e vetë autorit, thuhet edhe kjo:
«Tani që po grumbulloheshin të dhënat dilte se dëmet e shkaktuara nga mënjanimi i kinezëve ishin më të rënda se ç’parashikoheshin. Ishte një prishje e ftohtë, e bërë me llogari të saktë, përpara së cilës çdo mishmash do të dukej lule. Në të vërtetë kështu edhe ishin gënjyer një pjesë e shefave dhe e ekonomistëve, e kishin marrë gjithçka si një mishmash të përkohshëm. Tani dilte se sektorë të tërë paralizonin njëri-tjetrin, sipas një rregullshmërie që, sa më shumë të ndaleshe mbi të, aq më e habitshme dukej. Si në një reaksion zinxhir bllokimi kalonte nga një sektor te tjetri duke mbërritur gjer në institucione që në shikim të parë dukej se nuk kishin lidhje me kinezët si Banka e Shtetit etj. E gjithë kjo gërshetohej me vështirësi të tjera të paparashikuara. Kinezët kishin deklaruar se diga e madhe e Veriut kishte rrezik çarje në rast tërmeti, gjë që kishte shkaktuar shqetësim në Jugosllavi ngaqë diga nuk ishte larg kufirit. Të gjitha këto përkonin me sa dukej jo rastësisht me sabotimet në naftë. Raporti i dëgjuar në Byronë Politike i jepte fushat e naftës si pas një bombardimi. Dhjetëra puse të braktisura, makineri e tubacione të hedhura andej-këndej, të ndryshkura, ose të lëna midis fushës, në mëshirën e baltës».[38]
Kjo është një akuzë shumë mosmirënjohëse për një vend si Kina që gjithsesi gjatë 18 viteve e ndihmoi Shqipërinë dhe vlera e kësaj ndihme u duk pas vitit 1978, kur Shqipëria e Enver Hoxhës mbeti vetëm «me forcat e veta», duke hyrë në një periudhë mjerimi të skajshëm, që konsistonte deri edhe në uri masive. Kina nuk sabotoi por thjesht ndërpreu ndihmat. Akuza për sabotim që iu bë Kinës nga regjimi enverian qe një mënyrë për të krijuar një alibi për katastrofën ekonomike që e gjeti vendin kur mbeti pa asnjë ndihmë të huaj. Duke e zhvilluar këtë mit politik të regjimit më tutje, Kadare del këtu në rolin e propagandistit të regjimit. Por Kina nuk qe fajtore për gjendjen e mjeruar që erdhi në Shqipëri pas ndërprerjes së ndihmave të saj, pasi ndihmat kineze jepeshin për arsye ideologjike dhe Enver Hoxha, duke mos qenë dakord me kursin e ri ideologjik të Kinës, i pati dhënë kësaj dhe justifikimin për t’i ndërprerë ndihmat. Është absurde që Enver Hoxha të priste ndihma nga Kina edhe pasi nuk qe dakord me politikën e saj.
Dhe më tutje në roman thuhet:
«S’kishin kaluar as dymbëdhjetë orë nga mbarimi i plenumit të Komitetit Qendror, kur u morën vesh emrat e të përjashtuarve prej tij. Për herë të parë krahas fjalëve sabotatorë u përmendën fjalët ‘puç’ e ‘puçistë’. Thuhej se disa nga të arrestuarit ndodheshin në arrest shtëpie.
Tani të gjithë i lidhnin ngjarjet me kinezët, madje pëshpëritej se, megjithëse Çu En Lai ishte bërë prej kohësh pluhur në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, diku, në një bobinë misterioze, ndodhej i regjistruar zëri i tij, ndërsa u jepte këshilla komplotistëve. Ndërkaq shumica mendonin se komploti ishte një vepër e brendshme dhe këshillat e Çu En Lait kishin qenë kryesisht të natyrës ideore, gjë që ngjante më e logjikshme».[39]
Në Letrën e Komitetit Qendror të PPSH dhe të Qeverisë së RPSSH drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe Qeverisë së Kinës thuhet:
«Por udhëheqja kineze, në disa momente të caktuara, ka ndërhyrë në mënyrë kriminale në punët e brendshme të Shqipërisë. Këto fakte, në kohën e duhur, ne do t’i nxjerrim haptazi në dritën e diellit. Po të realizoheshin këto veprime të dënueshme të ndërmarra nga udhëheqja kineze në bashkëpunim edhe me tradhtarët shqiptarë, do të likuidohej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, pavarësia dhe sovraniteti i saj».[40]
Është e qartë se këtu aludohet për «komplotin» e zbuluar nga Enver Hoxha në vitet 1973-1975, në art, ushtri dhe ekonomi, «komplot» ky për të cilin Enver Hoxha në «Shënime për Kinën» akuzon Kinën si frymëzuese dhe organizatore, por pa sjellë fakte në mbështetje të kësaj akuze. Faktet që komprometonin Kinën nuk u bënë kurrë të ditura, ashtu siç pretendohej në letrën e 29 korrikut 1978 drejtuar udhëheqësisë kineze, në rast se nuk konsiderojmë si mbajtje të premtimit për nxjerrjen e fakteve në dritën e diellit, romanin e Ismail Kadaresë të botuar 10 vite pas letrës, në 1988. Pra, romani i Kadaresë, me «faktet» që jep për involvimin kinez në «komplotin» kundër Enver Hoxhës dhe regjimit të tij, është një plotësim i letrës të 29 korrikut 1978 dhe i librit «Shënime për Kinën». Ja edhe një rast tjetër kur Ismail Kadare paraqitet me atributin e zëdhënësit special të regjimit komunist shqiptar dhe të vetë Enver Hoxhës.
Në romanin e Kadaresë, me fjalët e autorit jepet edhe ky paragraf që zbulon talentin çekist të autorit dhe që është një zhvillim i fantazisë enveriane të zbulimit të komploteve:
«Me kalimin e ditëve ndodhte pikërisht ajo që ata ishin përpjekur ta shmangnin me çdo kusht: veçimi prej masës normale të njerëzve dhe afrimi me botën e fajtorëve. Ndonëse qëllonte që nuk e njihnin njëri-tjetrin, emrat e tyre nisën të dilnin përherë e më shpesh në hetime të ndryshme. Kështu nisi të ravijëzohej dalëngadalë një univers i veçantë, ku ata lëviznin e takoheshin si hije (dhe ishte shpeshherë tamam ashtu, hije, muzg, kur ata mezi e mbanin mend njëri-tjetrin). Një darkë qeveritare, ku i njëjti kinez u kishte rikujtuar një bisedë të bërë në Hotel Pekin në Kinë, një darkë tjetër te një ministër shqiptar, emir i të cilit s’përmendej, biseda për braktisjen e fushave të vjetra të naftës apo për rrethimin e një komiteti partie».[41]
E veçanta e romanit të Kadaresë «Koncert në fund të dimrit» është se në të autori i manipulon ngjarjet historike, në një mënyrë të tillë që nuk i lejohet asnjë shkrimtari serioz. Periudha që nga fillimi i ftohjes shqiptare-kineze, që në roman daton me njoftimin për vizitën e ardhshme të Presidentit amerikan Nixon në Kinë (gjë që u njoftua në korrik 1971) dhe deri në prishjen përfundimtare shqiptaro-kineze, me shkëmbimin e notave mes dy partive dhe qeverive në verën e vitit 1978 (qershor-korrik 1978), që është një kohë prej plot shtatë vitesh, në romanin e Kadaresë çuditërisht paraqitet sikur ka ndodhur brenda disa muajsh. Kjo është një gjë që konstatohet lehtë nga ngjarjet që paraqiten në roman.
Kohëzgjatja e ngjarjeve në roman, ashtu sikur e jep autori, kuptohet nga një fragment në fillim të romanit dhe një tjetër në fund të romanit. Në fillim të romanit, në episodin ku disa nëpunës të vegjël në një ministri në Tiranë diskutojnë për vizitën e presidentit amerikan në Kinë, që porsa është njoftuar (pra biseda zhvillohet në korrik 1971), si dhe për qendrimin e Shqipërisë me këtë rast, thuhet edhe kjo:
«Ariani qe afruar te dritarja dhe po vështronte përjashta.
- Ejani të shikoni, - tha pas pak.
- Çfarë?
- Në sheshin ‘Skënderbej’, kinezë.
Ato u ngritën të dyja dhe u afruan te dritarja. Që andej dukej fare mirë sheshi i madh. Në trotuaret e gjera dukeshin vërtet grumbuj të shumtë kinezësh. Një pjesë lëviznin akoma, një pjesë kishin qëndruar në vend përpara kolonave prej mermeri të Pallatit të Kulturës dhe më tutje, nën këmbët e Monumentit të Skënderbeut».[42]
Ky episod është një pikë reference, pasi atje bëhet fjalë për një datë të saktë historike, siç është njoftimi i vizitës që do të bënte Presidenti amerikan Nixon në Kinë. Duke u konsideruar ky episod në raport me një tjetër në fund të romanit, që gjithashtu përmban data të sakta historike, mund të nxjerrim përfundimin për kohëzgjatjen e ngjarjeve në roman. Në një episod në fund të romanit, një nga personazhet kryesore, Silva, paraqitet duke medituar në ditën që PPSH dhe qeveria shqiptare i përgjigjen notës kineze (nota shqiptare është e korrikut 1978):
«Në një nga mëngjeset e atyre ditëve, nga dritarja e zyrës Silva pa prapë një vërshim kinezësh në sheshin përpara ministrive dhe ashtu si disa muaj më parë, me po atë zë, të shoqëruar ndoshta me po atë lëvizje të qafës, ajo tha: shikoni atje, kinezë...
Të nesërmen, tamam sikur shfaqja e kinezëve në shesh të ishte parathënia e një ëndrre, në gjitha gazetat u botua deklarata e qeverisë kineze për ndërprerjen e ndihmave Shqipërisë dhe tërheqjen e specialistëve prej saj. Rreth orës nëntë të mëngjesit u bënë kudo mbledhje të shkurtra ku njerëzit u njohën me deklaratën kineze dhe përgjigjen shqiptare, dhe pas dy-tri orësh ata zbritën prapë për të pirë ndonjë kafe në bufe».[43]
Pra, për Kadarenë periudha prej shtatë vitesh nga korriku 1971, kur u njoftua se Presidenti amerikan do të vizitonte Kinën deri në korrik 1978, ku u shpall nota shqiptare për Kinën ngjeshet në disa muaj. Pse e ka bërë Kadare këtë gjë? Kjo ngjeshje kohore, të cilën Kadare e ka bërë dhe tek «Dimri i madh», në fakt i paraqit ngjarjet ashtu sikur do të donin Enver Hoxha dhe regjimi komunist shqiptar që të kishin ndodhur. Romani i Kadaresë nuk është gjë tjetër veçse zhvillim i mitit politik të letrës, që Enver Hoxha i çoi Mao Ce Dunit në 1971, ku kundërshtonte vizitën e presidentit amerikan në Kinë. Enver Hoxha e tha më pas këtë historinë e letrës, për të treguar se ai gjithsesi nuk u pajtua me ndryshimin e vijës nga Mao Ce Duni. Por, midis dërgimit të letrës dhe vitit 1978, kur u prishën marrëdhëniet janë plot shtatë vite, që nuk justifikohen, përveç ndoshta me Realpolitik në interes të ruajtjes së pushtetit nga Enver Hoxha, që sigurohej me ndihmat kineze. Ismail Kadare merr përsipër që ta zhvillojë me fantazinë e vet letrare legjendën e letrës kundërshtuese që sajon Enver Hoxha në kujtimet e veta, në mënyrë që t’i paraqesë ngjarjet ashtu sikur do të donte Enver Hoxha të kishin shkuar.
Pra, me t’u njoftuar vizita e presidentit amerikan në Kinë, fillon ftohja shqiptaro-kineze dhe brenda pak muajsh marrëdhëniet prishen, duke u zbuluar në kohën e prishjes dhe një komplot i zyrtarëve të lartë shqiptarë, komplot ky i ideuar nga Kina, siç i paraqit gjërat Kadare në roman, që duhej të kishte shërbyer si një provë shtesë nga pala shqiptare për të fajësuar palën kineze. Kështu, në ukroninë (neologjizëm imi për të përshkruar çorbën kronologjike të Kadaresë, sipas fjalës utopi) në fund të dimrit dhe deri andej nga pranvera e vitit 1972, paraqiten të ndodhin ngjarje si prishja e marrëdhënieve shqiptaro-kineze (ngjarje që realisht ndodhi në 1978), vdekja e Çu En Lai dhe Mao Ce Duni (ngjarje që përshkruhen në roman dhe që realisht kanë ndodhur në 1976), zbulimi i «komplotit» të Beqir Ballukut (realisht ndodhi në 1974), i «grupit armiqësor në ekonomi» (realisht ndodhi në 1975), arrestimi i gruas së Mao Ce Dunit, Çian Çinit (realisht ndodhi në 1976) etj.
Në romanin e Kadaresë (në paragrafin e cituar më lart) nota e qeverisë kineze, që njoftonte prerjen e ndihmave ekonomike për Shqipërinë dhe nota me përgjigjen e partisë dhe të qeverisë shqiptare, dalin në të njëjtën ditë:
«Të nesërmen, tamam sikur shfaqja e kinezëve në shesh të ishte parathënia e një ëndrre, në gjitha gazetat u botua deklarata e qeverisë kineze për ndërprerjen e ndihmave Shqipërisë dhe tërheqjen e specialistëve prej saj. Rreth orës nëntë të mëngjesit u bënë kudo mbledhje të shkurtra ku njerëzit u njohën me deklaratën kineze dhe përgjigjen shqiptare, dhe pas dy-tri orësh ata zbritën prapë për të pirë ndonjë kafe në bufe».
Nota e qeverisë kineze, që njoftonte prerjen e ndihmave ekonomike dhe ushtarake për Shqipërinë, iu dorëzua ambasadorit shqiptar në Pekin në 7 korrik 1978[44]dhe sigurisht që përmbajtja e saj iu bë e ditur që atë ditë Tiranës, aq më tepër që nota kineze qe e shkurtër, madje jo në linjë partie, por vetëm në linjë shtetërore, si një njoftim i ministrisë së jashtme kineze, dhe nuk qe marrë mundimi as të jepeshin argumente ideologjike. Pra, midis dorëzimit të notës kineze dhe përgjigjes shqiptare, kaluan plot 22 ditë. Enver Hoxha e mbajti notën kineze të fshehtë për publikun shqiptar për 22 ditë, deri në 29 korrik 1978, ditë kur i ktheu përgjigje Pekinit për notën dhe ua bëri të ditur shqiptarëve notën kineze dhe përgjigjen shqiptare. Pse ky ngurrim i ultraortodoksit marksist-leninist Enver Hoxha për të reaguar ndaj Kinës? Enver Hoxha, që në vitin 1971 i paskësh çuar Kinës një letër ku kundërshtonte vizitën e presidentit amerikan në Pekin, në vitin 1978 ngurronte t’i përgjigjej Kinës, kur ajo i njoftonte praktikisht ndërprerjen e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, që për Enver Hoxhën qe edhe aspekti jetik i marrëdhënieve shqiptaro-kineze?
E gjithë kjo ka ndodhur sepse Enver Hoxhën nota kineze e ka tronditur shumë, pasi ai e shihte qartë katastrofën ekonomike që e priste pas ndërprerjes së ndihmave kineze. Madje Enver Hoxha nuk besonte se Kina do të shkonte deri këtu. Në 12 dhjetor 1977 Enver Hoxha ka bërë këtë shënim në ditarin e vet politik:
«Është fakt që Kinës në planin politik nuk i leverdis t’i presë tërësisht marrëdhëniet me ne. Deri dje, edhe aktualisht, vetë Kina ka bërë dhe po bën një propagandë aq të madhe kundër Bashkimit Sovjetik për prerjen e marrëdhënieve ekonomike me Kinën, për anulimin e njëanshëm të kontratave, për prerjen e kredive, tërheqjen e specialistëve dhe uljen e nivelit të tregtisë. Sot Kina propagandon që Bashkimi Sovjetik i bëri këtë Egjiptit, i bëri atë Somalisë etj.etj. Derisa bën një propagandë të tillë, do të arrijë Kina me veprimet e saj në këtë shkallë armiqësore kundër nesh? Ndofta nuk do të arrijë, jo sepse udhëheqësit e saj na duan ne, por se shikojnë interesin e vet».[45]
Prandaj Enver Hoxha me qëllim ka heshtur për 22 ditë, heshtje kjo që ngjan me 10 ditët e heshtjes së Stalinit pas sulmit të Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik në 1941, 10 ditë gjatë të cilave Stalini tentoi që të negoconte me Hitlerin për t’i dhënë fund luftës. Enver Hoxha gjatë 22 ditëve të heshtjes ka bërë përpjekje që të merret vesh me Pekinin. Por, tashmë në Pekin pati ndryshuar koncepti i interesit, duke mos qenë më ai nga i cili qe mësuar të përfitonte Enver Hoxha. Duke i paraqitur gjërat sikur përgjigjja shqiptare për notën kineze ka ardhur në të njëjtën ditë që në Tiranë u bë e njohur nota kineze, Kadare i paraqet gjërat ashtu sikur do të donte Enver Hoxha që të kishin shkuar.
Në romanin e Kadaresë ka episode cinike dhe makabre në të cilat, në ditët pas vdekjes së Mao Ce Dunit (ai vdiq në 9 shtator 1976), ministri D (Beqir Balluku) paraqitej sikur qe ende gjallë, madje në postin e vet dhe priste në takim oficerin tankist për ta manipuluar, kur Beqir Balluku në 5 nëntor 1975 qe dënuar me vdekje dhe që prej asaj kohe ndodhej nën dhe, në një varr pa emër në Vranisht të Vlorës. Në roman shkruhet:
«Qyshse Gjergji kishte ikur, Silva e priste me padurim orën e lajmeve në TV për të marrë vesh ndonjë gjë për Kinën. Por lajmet ishin të turbullta. Zakonisht fillonin me pandehmat e ndryshme se ç’do të bëhej me trupin e Maos. Kishte zëra se do të balsamosej, të tjerë pohonin të kundërtën, ndërsa spikerët përpiqeshin të lidhnin faktin se ç’do të bëhej me trupin me vazhdimin apo me braktisjen e kursit të maoizmit».[46]
Gjatë kohës që shohin televizor Saimirit i telefonojnë nga Ministria e Mbrojtjes dhe i thonë se e kërkon ministri i mbrojtjes D (Beqir Balluku):
«- Ti do ta dish se ku po shkoj? Ja, po ta them: tek ish-ministri im.
- Tek ish-ministri yt? - përsëriti Silva, duke e treguar haptas mundimin që po bënte truri i saj për t’i hyrë thelbit të këtyre fjalëve. Ç’ishin këto fjalë: ish-ministri im? Ai ishte ende ministër... Shkarkimi do të ishte marrë vesh... Le që ishte vërtet budallallëk ta mendoje këtë. Një ministër i shkarkuar nuk thërret më kurrkënd... Ah, po e gjithë kjo ishte tjetër gjë. Si nuk i shkoi menjëherë ndër mend? Ishte Saimiri ai që s’ishte më vartës i tij, ndaj e quante ish-ministër... Po nejse. Kjo s’kishte shumë rëndësi. Rëndësi kishte fakti që po e thërrisnin».[47]
Por një ministër i vdekur nuk mund të thërriste kurrkënd, përveç ndoshta në një seancë spiritizmi ku bisedohet me shpirtrat e të vdekurve. Dhe si një seancë e tillë mund të cilësohet fragmenti i romanit, ku ministri i mbrojtjes e pret në takim oficerin tankist dhe i thotë:
«Ah, ah, kë po më shikojnë sytë, rebelin, thyerësin e disiplinës ushtarake, ha-ha-ha, unë bëj shaka, eja këtu më jep dorën. Të tillë si ju i do Partia oficerët, kështu ju dua edhe unë, megjithëse ngandonjëherë mund të ma prishni qejfin».[48]
Në të njëjtin episod, ministri D mediton:
«Përpara ishte Plenumi i Komitetit Qendror, ku prej tij pritej me siguri një autokritikë e fortë. Çdo ditë merrej me ato fletë, shkruante, shuante, shtonte përsëri dhe gjithmonë ishte i pakënaqur... Fletët e shkruara ishin të shumta, e megjithatë e ndiente se do të shkruante të tjera. Dora e tij kërkonte si në ethe pjesën ku kishte skicuar çështjen e tankeve. Përderisa Enver Hoxha e kishte përmendur me emër këtë çështje, ajo duhej sqaruar hollësisht në Plenum. Ai lexoi rrëmbimthi disa minuta dhe teksti iu duk fare i varfër. Ishte marrë kryesisht me fundin e episodit, me zemërimin e tij kundër tankistëve (zemërim i padrejtë, fryt i mbivlerësimit të vetvetes, i shkëputjes prej masave, kështu e kishte cilësuar), por nuk kishte shkruar ende asgjë për fillimin e historisë, si i lindi ideja për të dhënë një urdhër të tillë dhe pse. Qysh tani përfytyronte një zë nga mesi i sallës, që pyeste: shkaqet, thellohu në shkaqet.
Jo gjer atje s’vete kurrë, mendoi ai. Shkaqet e vërteta s’do t’i dëgjojë kurrë as ky plenum, as i ardhshmi dhe as i njëqindti apo i njëmijëti plenum. Ato do t’i merrte me vete në varr. Le të thërrisnin ‘thellohu!’ sa të donin, në ato bodrume ai nuk do të zbriste kurrë. Çu En Lai shyqyr kishte vdekur, s’kishte pse të bëhej merak për bisedën me të».[49]
Ministri D (Beqir Balluku) nuk kishte ku të thellohej më tepër, sepse ai gjendej atje ku më thellë nuk shkon dot njeriu, në thellësinë e varrit. Dhe s’kishte si të gëzohej për vdekjen e Çu En Lait se kishte vdekur vetë para Çu En Lait. Dhe Kadare këtë devijim nga e vërteta historike e bën në funksion të parimit që ndjek ai në këtë roman, që t’i paraqesë gjërat sikur Enver Hoxha nuk i ndëshkoi «puçistët» veçse në kohën që u shpall prishja me Kinën, pra diktatori nuk qe xhelat i bashkëpunëtorëve të vet, por ata janë ndëshkuar nga «shteti ligjor» i diktaturës së proletariatit, pasi u zbulua tradhtia kineze, me të cilën ata qenë bashkëpunëtorë.
Në romanin e Kadaresë, paralel me zhvillimin dhe zbulimin e «komplotit» të ministrit D bëhet dhe një investigim i gjatë i komplotit dhe eliminimit të ministrit kinez të mbrojtjes Lin Biao, që vdiq në rrethana misterioze kur avioni i tij u rrëzua në 1971, në Mongoli, në kufi me Kinën. Në librin «Kohë barbare», ku Ismail Kadare është bashkautor me Denis Fernandes Recatala, shkruhet për romanin «Koncert në fund të dimrit»:
«Në roman ka një paralelizëm të dukshëm midis vrasjes së Lin Biaos nga Mao Ce Duni dhe asaj të Dunkanit nga Makbethi, por me një ndryshim se në Kinë është dunkan-Maoja që triumfon mbi uzurpatorin. Ngjarjen e kam përshkruar në tridhjetë faqe dhe e kam titulluar Dimri i fundit i Makbethit. Tri javë më vonë, aktualiteti shqiptar na rezervoi një të papritur të re: kryeministri Mehmet Shehu, pasardhësi i pushtetit, Makbethi ynë vdiq. Enigma mbi këtë ngjarje vazhdon të ekzistojë ende: nuk dihet nëse ka vrarë veten apo e ka eliminuar Enver Hoxha, siç pretendojnë zërat e përhapur mbi këtë incident. Po të ketë ndodhur kështu, atëhere do të kishim të bënim me një vazhdimësi të sindromës Makbeth. Për pasojë, kjo koincidencë nuk ndihmoi aspak për botimin e romanit. Ai u ndalua menjëherë dhe, për tetë vjet rresht nuk e pa dritën e botimit».[50]
Në rast se gjërat do të qenë ashtu siç i paraqit Kadare, atëherë qe dashur që në 1981, Enver Hoxha të urdhëronte dhe ndalimin e librit të vet «Shënime për Kinën». Sepse kjo linjë e romanit të Kadaresë (investigimi i vdekjes së Lin Biaos), e ka origjinën tek libri i Enver Hoxhës «Shënime për Kinën», ku ka gjithashtu një investigim të gjatë të vdekjes së Lin Biaos. Enver Hoxha në librin «Shënime për Kinën» e analizon gjatë këtë komplot kinez. Ia vlen të bëhet krahasimi mes atyre që thotë Enver Hoxha dhe atyre që thotë Ismail Kadare. Enver Hoxha, në 3 janar 1972 bën në ditarin e vet politik[51]shënimin me titull «Ç’po ngjet me grupin e Lin Biaos»,[52]ndërsa në 22 korrik 1972 bën shënimin «Komploti i Lin Biaos».[53]
Në shënimin me titull «Ç’po ngjet me grupin e Lin Biaos», Enver Hoxha shkruan:
«Shokët kinezë vazhdojnë të mos na thonë asgjë në lidhje me çështjen e Lin Biaos dhe të ushtarakëve të tjerë, që janë zhdukur nga skena që nga muaji shtator i vitit 1971... Deri tash janë shoferët kinezë ose përkthyesit kinezë të ambasadës sonë, ‘anëtarë partie’, që na japin versione ‘zyrtare’ të ndodhisë, versione të cilat janë të ndryshme... Të gjitha versionet thonë se në udhëheqje ka pasë qenë organizuar një komplot i rrezikshëm nga ushtarakët, me Lin Biaon në krye... Shoferi na thotë se ‘Lin Biaoja me gjithë gruan, pasi u orvatën pa sukses të vritnin Maon, pse ishin kundër tij, tok me konspiratorët e tjerë morën avionin dhe u nisën të arratiseshin për në Bashkimin Sovjetik, por u diktuan në kufi ku avioni u godit dhe u rrëzua i djegur në Mongolinë e Cedenbalit... Maoja me Çu En Lain ndërtuan një ‘strategji të re’ me rastin e vajtjes së Niksonit në Pekin dhe këtë na e thanë edhe neve zyrtarisht. A ishin dakord Lin Biaoja dhe ‘majtistët’ për vajtjen e Niksonit, a ishin dakord me këtë ‘strategji të re të Maos dhe të Çusë’? Këtë nuk na e thonë, por mbajnë heshtje të plotë, bile as njerëzve të tyre, as partisë së tyre nuk ia thonë. Pse nuk ia thonë? Sepse sigurisht në parti dhe në popull ka një korent të fortë kundër vizitës së Niksonit në Pekin».[54]
Ndërsa në shënimin «Komploti i Lin Biaos», Enver Hoxha shkruan:
«Çështja tjetër, përsëri ca e errët për ne, është orvatja e Lin Biaos për t’u arratisur me avion. Fluturim si shumë kuturu, fare i paorganizuar. Si ka qenë e mundur që Lin Biaoja, ministri i mbrojtjes së Kinës, nënkryetar i partisë, ndaj të cilit ‘nuk kanë fakte’, të mos e dijë se vajza e tij e ka denoncuar 5 orë më parë se ai të arratiset!? Si është e mundur që ‘njeriu sekret i sovjetikëve’, sikurse është cilësuar, i cili ia beson fluturimin të birit komplotist, por nënkomandant i gjithë aviacionit të Kinës, të zgjedhë një avion pa ekuipazh, pa karburantin e mjaftueshëm, pa radio dhe të bjerë në Mongoli e të digjet si lodër fëmijësh».[55]
Pse Enver Hoxha merret kaq shumë me vdekjen e këtij ministri kinez dhe nuk merret, bie fjala me vdekjen misterioze të Liu Shao Çi, i cili qe politikan i të njëjtit rang si Lin Biao dhe për të cilin u tha se vdiq në burg, disa vite pas arrestimit? Enver Hoxha, në «Shënime për Kinën», hiqet si skeptik për të dhënat për komplotin që jep Pekini zyrtar, gjë që Enver Hoxha e bën për të krijuar mbresën sikur ai vetë beson tek komplotet veç pas një shqyrtimi të thellë të fakteve dhe të rrethanave, ndryshe nga ç’thonë për të «armiqtë» se ai i eliminon bashkëpunëtorët e vet, deri edhe ata më të afërt, duke u atribuar faje të paqena. Dhe, pasi Enver Hoxha i ka analizuar «faktet», ai shkruan në lidhje me deklaratat zyrtare kineze për komplotin e Lin Biaos, duke u «bindur» më në fund se Lin Biao donte të eliminonte Mao Ce Dunin: «Ne s’kemi pse të mos i besojmë këtij versioni që na japin shokët kinezë. Ne e gjejmë të mundshme të ngjasë një gjë e tillë, bile të kurdisen edhe komplote më të rrezikshme që mund të konkludohen me katastrofa për diktaturën e proletariatit dhe për socializmin... ‘Komploti i Lin Biaos’ ka qenë me të vërtetë i rrezikshëm dhe ca më i tmerrshëm, sepse ky, siç del, nga ato që na thonë shokët kinezë, ‘ka qenë i lidhur ngushtë me sovjetikët’. Lini pra ‘kishte qenë një agjent i tyre, tok me gruan dhe me bashkëpunëtorët e tij’».[56]
Arsyet për të cilat Enver Hoxha merret gjatë me këtë histori, në librin «Shënime për Kinën» janë të qarta. Por përse merret gjatë me këtë histori në romanin e vet Ismail Kadare? Ismail Kadare, në romanin «Koncert në fund të dimrit» e shtjellon këtë histori edhe nëpërmjet meditimeve të vetë Enver Hoxhës, që është personazh i romanit. Në romanin e Kadaresë, në episodin ku Enver Hoxha paraqitet duke medituar në tryezën e vet të punës mbi faqet e ditarit të vet politik, që më pas u bë libri «Shënime për Kinën», thuhet: «E shtunë 22 korrik 1972 ‘Komploti i Lin Biaos’ Vështrimi iu ndal mbi këtë të fundit. Variantet e vdekjes së tij, ashtu siç qenë servirur herë pas here nga vetë kinezët i ngjanin një romani policor. ‘Vajza e Lin Biaos, pesë orë përpara se të ngrihej avioni, lajmëroi Çu En Lain se po arratisej i ati. Maoja paska thënë: lëreni të arratiset. Komplotisti Huan Juan Shen, për të fshehur gjurmët, propozoi që ta rrëzonin aeroplanin me raketë por i ndaloi Maoja.
Ai (Enver Hoxha - K.M.) nënqeshi, kapërceu fletët dhe lexoi më tutje dyshimet që kishte shfaqur qysh në atë kohë për vdekjen e mareshalit. Po versioni tjetër: Mos e detyruan Lin Biaon të arratisej dhe rrugës e likuiduan? Kamikaxe... Fakte për komplot nuk kishin, por fakte krijuan dhe në këtë mënyrë u kurdis komplot kundër tij. Ai u thirr me urgjencë në Pekin, hipi në avion dhe kur pa se nuk po zbriste në Pekin, pyeti: Ku po shkojmë? Dhe, kur më vonë pa se ishin mbi Mongoli, ai dhe njerëzit e tij nxorën koburet dhe vranë veten. Ç’u bë Brenda? Avioni ra u dogj. Asgjë nuk u mor vesh. Një gazetë kanadaze informonte se ‘Kisingeri i kishte thënë kryeministrit kanadez që ekspertiza kishte vërtetuar se në karkasën e avionit janë gjetur shenja predhash... Pse të kenë qëlluar brenda në avion? Kush ka qëlluar dhe pse?! Vetëm Lin Biaoja ka qëlluar?! Edhe po ta pranojmë këtë version, ai ka qëlluar sepse pa se po e çonin jashtë Kinës, në Mongoli (dhe jo në Bashkimin Sovjetik, siç thonë kinezët), kundër vullnetit të tij».[57]
Kadare shkruan: «Dokumenti i fundit ishte një relacion i hollësishëm për të dhënat, pëshpërimat dhe hamendjet e ndryshme që kishin të bënin me vrasjen e Lin Biaos... Qysh në çastin që Gjergj Dibra nisi të ngjiste shkallët metalike për të hipur në avion, kundër dëshirës së tij, ai përfytyronte Lin Biaon që po shpejtonte në një aeroport të shkretë, drejt një avioni që qysh më parë duhej t’i kishte rënë gria e vdekjes. Mareshali ndiqej nga gruaja dhe i biri. Dhe të tre nguteshin, dhe ishin aq të llahtarisur, saqë në çastin e fundit, te dera e avionit, Lin Biaoja ishte ngurrosur krejt, saqë iu desh ta tërhiqnin që brenda... Ishte një fluturim krejt i çuditshëm, gati kuturu, me një avion pa ekuipazh (ishte e mundur që djali i Lin Biaos, që ishte nënkomandant i aviacionit të gjithë Kinës, të zgjidhte një aeroplan të tillë, dhe për më tepër pa karburant të mjaftueshëm?) E gjithë kjo ishte pak e besueshme, ashtu siç ishte pak i besueshëm telefonimi gjoja i së bijës së Lin Biaos, e cila e tradhtoi babanë duke lajmëruar pesë orë përpara Çu En Lain se i ati po arratisej, dhe pastaj fjalët e Mao Ce Dunit: le të arratiset dhe propozimi i njërit prej komplotistëve për ta rrëzuar avionin me raketë, për të fshehur gjurmët e komplotit dhe prapë fjalët e Maos: lëreni të ikë më mirë, që të mos na thonë se e vramë. Dhe më në fund rrëzimi dhe djegia e avionit si një lodër fëmijësh në Mongoli.
...Me siguri s’kishte hipur në aeroplan për t’u arratisur. Kishte hipur thjesht për të ardhur në Pekin dhe rrugës e kishin zhdukur. S’kishte qenë në një mendje me ta për diçka. Për vizitën e presidentit amerikan ndoshta... Kështu që kishin kurdisur komplot kundër tij. E kishin thirrur me ngut në Pekin. Rrugës duke parë se fluturimi i avionit po zgjaste shumë, ai ka dyshuar dhe ka pyetur: ‘ku po shkojmë?’. Pra, ku po shkojmë? ka pyetur Lin Biaoja dhe, duke e kuptuar në çast se ku gjendeshin, ai dhe njerëzit e tij kanë nxjerrë revolverët dhe kanë vrarë veten... Pastaj kur kanë hetuar më imtësisht, në karkasën e djegur të avionit kanë gjetur plumba dhe aty për aty është bërë pyetja: vallë kush ka shtënë dhe përse? Është kjo pyetja që e vuri në dyshim arratisjen... Çelësin e enigmës e kishin ndoshta sovjetikët. Ata i kishin gjetur plumbat, në qoftë se plumba ka pasur vërtet».[58]
Enver Hoxha nuk është i vetmi njeri në romanin e Kadaresë që investigon vdekjen misterioze të Lin Biaos. Edhe dy prej personazheve kryesore të librit, korrieri diplomatik, Gjergj Dibra (për një pasion prej detektivi) si dhe shkrimtari Skënder Bermema, tek i cili Kadare paraqet vetveten ashtu si tek «Dimri i madh», janë shumë të interesuar për të investiguar këtë histori misterioze. Zhytja e Kadaresë në këtë histori të dyshimtë kineze bëhet së pari për arsye që është zhytur në të Enver Hoxha dhe që e shpjegova më lart.
Në romanin e Kadaresë linja e ngritjes së «komplotit» dhe të ndëshkimit të ministrit shqiptar të mbrojtjes D (Beqir Balluku), ecën paralel me atë të investigimit komplotit dhe vrasjes së ministrit kinez të mbrojtjes, Lin Biao. Arsyeja përse është bërë kjo është e qartë. Në të dy linjat kundërvihen dy mënyra të ndryshme sjelljeje. Ajo parimore dhe ligjore e Enver Hoxhës me ministrin puçist D, sigurisht nga pikëpamja e parimeve dhe ligjeve të diktaturës së proletariatit, si dhe ajo gangsteriale e pastër e Mao Ce Dunit me Lin Biaon.
Ismail Kadare, tek romani «Koncert në fund të dimrit», e bën shkrimtarin Skënder Bermema, me të cilin paraqet vetveten, që duke u nisur nga premisat e dhëna nga Enver Hoxha, të shkruajë një ese mbi zhdukjen e Lin Biaos («Dimri i fundit i Makbethit»), ku zbulon të vërtetën e asaj që ka ngjarë:
«Sipas të dhënave të fundit pranohet nga të gjithë brenda dhe jashtë Kinës se Lin Biaoja ka bërë vërtet komplot për të vrarë Maon. Kështu që tërthorazi përligjet në njëfarë mënyre kundërveprimi i Maos. Ajo që nuk dihet është nëse plani i mareshalit për zhdukjen e tjetrit ka qenë i ngjashëm me atë të Maos apo jo.
Në qoftë se Maoja ka qenë në dijeni të komplotit ka mësuar ndoshta edhe mënyrën me të cilën mareshali do ta kryente vrasjen. Kështu, duke e pasur të gatshëm, Maoja ka shfrytëzuar skenarin e tjetrit...
Pra gjithçka kishte ndodhur në një darkë, thua se nuk kishin gjetur dot tjetër mënyrë veç asaj që kishte rrëfyer dikur Shekspiri. Të dy kishin qenë partizanë të tërbuar të ndalimit të tij, gjë që të bën të dyshosh veç të tjerash se në nënndërgjegjen e tyre e kishin ndoshta prej kohësh nga një darkë të pabesë?
Me fjalë të tjera historia e Maos dhe e mareshalit të tij, s’ishte gjë tjetër veçse përsëritja e ngjarjes së vjetër skoceze. Me të vetmin ndryshim se në këtë të fundit Makbethi nuk arriti të kryejë vrasjen ngaqë Dunkani u tregua më i shpejtë...»[59]
Dhe, investigimet e shkrimtarit Skënder Bermema arrijnë tek «e vërteta» e kësaj historie, duke zbuluar se Lin Biaon e kanë vrarë me urdhër të Mao Ce Dunit, duke e qëlluar veturën e tij me një raketë tokë-tokë: «A e di se si ka qenë e vërteta e vdekjes së Lin Biaos? U zbulua më në fund. Ngjan por edhe nuk ngjan me pandehmat që solle ti. Tanimë të gjithë e dinë se Lin Biaoja nuk u vra as me plumb, as me thikë, as me helm. Ai u godit me raketë».[60]
Pastaj, sipas Skënder Bermemës, kufomat e shkrumbuara i kanë futur në një avion që u rrëzua në Mongoli: «Pas dhjetë orësh aty ndaj të gdhirë në skenë u fut avioni».[61]
Për ta potencuar këtë krahasimin midis sjelljes mafioze të Mao Ce Dunit me Lin Biaon dhe sjelljes së Enver Hoxhës me homologun shqiptar të Lin Biaos, Ismail Kadare në romanin e vet sajon një episod ku Mao Ce Dunit, që është në delir në shtratin e vdekjes, i shfaqet Lin Biaoja:
«Në vend të tij te muri i dhomës u shfaq Lin Biaoja. Ishte i lidhur në një kolltuk avioni dhe fjalët ‘No smoking’ i ndizeshin e i shuheshin vazhdimisht mbi kokë.
...Ky i marrë, mos beson edhe ky vetë se hipi i gjallë në atë avion?
Të gjitha hijet kanë qejf të mburren, tha Maoja. Kujton se mund të isha aq mendjelehtë sa të vija një tjetër në vendin tënd. Në atë avion ke qenë ti vetë, or qyq. Shikoi, shikoi mirë mbeturinat dhe ke për ta njohur veten.
Tjetri, sado që u përpoq të hiqej mospërfillës, nuk e fshehu dot shtangien.
Po ti vetë e pohove se më vrave në një veturë.
Eh... por pastaj, gjatë natës?
Çfarë? Ç’ndodhi gjatë natës?
Ja pra që s’ditke aq sa hiqesh, mendoi Maoja».[62]
Përfundimisht, pra Mao Ce Duni e ka vrarë ministrin e vet të mbrojtjes komplotist në mënyrë mafioze. Por, në romanin e Kadaresë, Enver Hoxha sillet krejt ndryshe me ministrin shqiptar të mbrojtjes, edhe pasi zbulohet se ministri ka dhënë një urdhër kriminal, ai lihet në detyrën e vet, kryen madje një inspektim, gjatë të cilit mund të qe asgjësuar si Lin Biao, por Enver Hoxha nuk e bën këtë, sepse ai është për ligjshmërinë revolucionare. Nuk është Enver Hoxha që e arreston ministrin me t’u mësuar veprimi i tij, por ministri që bën arrestime abuzive për të fshehur gjurmët e krimit. Kështu, Enver Hoxha del një udhëheqës i drejtë dhe human që arreston dhe dënon veç kur i ka të gjitha provat, përkundër Mao Ce Dunit që i eliminon bashkëpunëtorët me akte gangsteriale. Pra, Kadare këtu kërkon të rregullojë imazhin e diktatorit që i përdorte institucionet që kishte ndërtuar si instrumenta të terrorit. Kadare kërkon të tregojë se Enver Hoxha nuk i eliminon ata që i konsideron si kundërshtarët e vet politikë si Mao Ce Duni me mënyra terroriste gangsteriale, por i dënon me gjyqe të rregullta, ku provohet fajësia e tyre. Por, e vërteta qe se metodat «parimore» dhe «ligjore» të Enver Hoxhës qenë vetëm «gjethe fiku» të eliminimeve gangsteriale që bënte ai.
Ajo që thotë Kadare, se vdekja misterioze e Mehmet Shehut influencoi në ndalimin e romanit për shkak të analogjisë mes historisë së Lin Biaos-Makbeth dhe Mehmet Shehut, është një gjë absurde dhe këtë e provon fakti që romani i Kadaresë u botua në 1988, kur linja politike e vitit 1981 në Shqipëri nuk pati ndryshuar: Enver Hoxha qe prijësi që ka vetëm datëlindje dhe Mehmet Shehu qe kryetradhtari.
Kadare në roman thotë se që kur supozohet se filloi ftohja shqiptaro-kineze, me paralajmërimin e vizitës së Presidentit Nixon në Pekin, Enver Hoxha dhe udhëheqësia komuniste shqiptare e vunë në dijeni anëtarësinë e PPSH dhe zyrtarët pa parti për «devijimin» (nga marksizëm-leninizmi, nënkuptohet) e Kinës, madje në roman gjërat paraqiten sikur për këtë temë diskutohet hapur në Shqipëri midis njerëzve:
«- Sot mbledhja e Partisë mund të ketë lidhje me Kinën, - tha Ariani.
- Vërtet? - ia bëri Linda.
- Kështu më duket. Është ajo puna e vizitës së presidentit amerikan. Në disa dikastere komunistëve, madje edhe kuadrove pa parti, u janë bërë sqarime.
- U kuptua menjëherë qendrimi që do të mbahej për atë vizitë, - ndërhyri Silva. - Mjaftonte të shikoje shtypin për ta marrë vesh.
- Ashtu është, - tha Ariani. - Ndërsa gazetat dhe radiot e botës u shqyen së foluri për të, shtypi ynë e njoftoi vetëm me pesë rreshta. Kurse televizioni s’dha asnjë pamje. ..
- Domethënë të gjitha ato që janë folur kohët e fundit për Kinën janë të vërteta, - tha Linda.
- Me sa duket, - u përgjigj Ariani.
- Dhe kjo gjë mund të çojë gjer në prishje? - Linda e bëri pyetjen duke përpëlitur qepallat habitshëm».[63]
Dhe më tutje:
«- Për atë ishte mbledhja, - tha shefi, pa e ngritur kokën nga shkresat. - Për Kinën.
- Ashtu? - ia bëri Linda.
- Me sa duket po devijojnë».[64]
Në fillim të romanit, paraqitet një darkë familjare ku ftohja shqiptaro-kineze diskutohet nga të ftuarit:
«Dikush kishte thënë se njëfarë acarimi ishte ndier përsëri kohët e fundit, ashtu si disa vjet më parë, gjatë kohës së Revolucionit Kulturor, por kjo s’ishte veçse një gjë e përkohshme dhe retë e zeza do të kalonin përsëri. Tjetri i përgjigjej se këtë herë çështja dukej më serioze dhe kriza nuk do të kapërcehej aq lehtë. Afrimi i kinezëve me Amerikën ishte e pamundur të miratohej prej nesh».[65]
E vërteta është se në vitin 1971, jo vetëm që nuk pati sqarime të anëtarësisë së PPSH për të ashtuquajturin devijim të Kinës, por nuk pati as sqarime të anëtarëve të Komiteti Qendror të PPSH. Vetëm në 12 nëntor 1977, Enver Hoxha në ditarin e vet politik («Shënime për Kinën») shkruan raportin «Të vemë në dijeni Partinë për devijimin e Kinës», ku shprehet: «Dje dhe sot i dhashë dorën e fundit raportit që do të mbaj në Plenumin III të Komitetit Qendror mbi devijimin e Partisë Komuniste të Kinës nga marksizëm-leninizmi... Mendoj se është shumë aktuale dhe e domosdoshme vënia në dijeni e Partisë për punën armiqësore antimarksiste që po zhvillon Partia Komuniste e Kinës».[66]
As Plenumi i KQ, në 1977 nuk bëri sqarime për Kinën.[67] Në 15 nëntor 1977, në Plenumin III u informuan anëtarët e KQ dhe ende jo organizatat-bazë të Partisë. Në vitin 1971, madje edhe shumë vite më vonë njerëzit në Shqipëri nuk mund të guxonin të flisnin hapur kundër Kinës, derisa Enver Hoxha, në kongresin VI të PPSH, në nëntor 1971, pra katër muaj pasi u njoftua se presidenti amerikan do të vizitonte Kinën, u shpreh:
«Për rritjen e forcimin e lëvizjes revolucionare kudo në botë, veçanërisht i madh është roli i Republikës Popullore të Kinës, kështjellë e fuqishme e revolucionit dhe e socializmit. Triumfi i Revolucionit të madh kultural proletar, i shpërthyer dhe i udhëhequr nga marksist-leninisti i madh shoku Mao Ce Dun, është një fitore dhe burim frymëzimi për gjithë lëvizjen revolucionare botërore. Imperialistët dhe revizionistët, që nëpërmjet agjentëve të tyre u përpoqën të mbytnin revolucionin kinez, u diziluzionuan keq. Kina e Mao Ce Dunit mbeti e kuqe, ajo doli nga Revolucionikultural njëqind herë më e fuqishme, armike e vendosur e imperializmit dhe e revizionizmit, mike dhe mbështetje e madhe e popujve dhe e luftës së tyre».[68]
Madje, edhe në Kongresin VII të PPSH, në nëntor 1976, kur u deklarua publikisht zbulimi dhe eliminimi i «komplotit», që sipas atyre që thotë Enver Hoxha në librin «Shënime për Kinën» u frymëzua dhe organizua edhe nga Kina, përsëri Kinës iu bënë elozhe të mëdha, në terma ideologjike:
«Duke iu përmbajtur me besnikëri e konsekuencë parimeve të marksizëm-leninizmit dhe të internacionalizmit proletar në politikën e jashtme, Partia e Punës dhe Republika Popullore e Shqipërisë kanë synuar, në radhë të parë, të zhvillojnë e të forcojnë marrëdhëniet e miqësisë vëllazërore dhe të unitetit luftarak, të bashkëpunimit e të ndihmës reciproke me Republikën Popullore të Kinës. Miqësia dhe bashkëpunimi i ngushtë që lidhin dy popujt, dy partitë, dy vendet tona janë farkëtuar e kalitur në luftën e madhe klasore kundër imperializmit e revizionizmit, kundër politikës hegjemoniste të dy superfuqive, imperializmit amerikan e socialimperializmit sovjetik, dhe kundër gjithë forcave reaksionare në botë, në luftën e përbashkët për ndërtimin e socializmit dhe triumfin e çështjes së revolucionit e të marksizëm-leninizmit. Partia e Punës e Shqipërisë dhe populli shqiptar janë miq e aleatë besnikë të Partisë Komuniste të Kinës dhe të popullit kinez. Dy popujt e dy vendet tona janë bashkëluftëtarë të një ideali dhe frymëzohen nga të njëjtat qëllime e detyra internacionaliste. Asnjë shpifje e trillim i propagandës borgjezo-revizioniste nuk mund të errësojë karakterin marksist-leninist dhe vitalitetin e miqësisë shqiptaro-kineze. Partia dhe populli ynë do të punojnë pareshtur për ta ruajtur të pastër dhe të fortë miqësinë dhe bashkëpunimin vëllazëror me popullin e madh kinez, Partinë e tij të lavdishme komuniste, me Kinën e madhe popullore.
Komunistët dhe populli shqiptar gëzohen pa masë për sukseset që populli vëlla kinez, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës, ka arritur në revolucionin e ndërtimit socialist në Kinë, në luftën klasore për ndërtimin socialist në Kinë, në luftën klasore për forcimin e diktaturës së proletariatit dhe për fuqizimin dhe përparimin e atdheut të tij. Fitorja e Revolucionit të Madh Kulturor Proletar, shpartallimi i komploteve kundërrevolucionare të Liu Shao Çisë, të Lin Biaos dhe të Ten Hsiao Pinit kanë krijuar një gjendje revolucionare dhe kanë forcuar pozitat e socializmit e të diktaturës së proletariatit në Kinë.
Fitoret historike që populli kinez ka arritur në revolucionin e tij të lavdishëm e në ndërtimin e socializmit, krijimi i Kinës së re Popullore dhe prestigji i lartë që ajo ka në botë janë të lidhura drejtpërdrejt me emrin, mësimet dhe udhëheqjen prej revolucionari të madh të shokut Mao Ce Dun. Vepra e këtij marksist-leninisti të shquar përfaqëson një kontribut në pasurimin e teorisë e të praktikës revolucionare të proletariatit. Komunistët dhe populli shqiptar do ta kujtojnë gjithmonë me nderim shokun Mao Ce Dun, i cili ka qenë mik i madh i Partisë dhe i popullit tonë».[69]
Siç shihet, edhe në 1976, 5 vite pas vizitës së parë të Presidentit Nixon dhe kur Kinën e pati vizituar edhe një tjetër president amerikan, Enver Hoxha vazhdon t’i konsiderojë marrëdhëniet të shkëlqyera si në vitet ‘60 dhe prishjen e këtyre marrëdhënieve e quan trillim të propagandës perëndimore dhe të bllokut lindor, por pa e shpjeguar se si patën mundur Perëndimi dhe Moska që ta kryenin këtë aventurë të habitshme, që të prisnin marrëdhëniet shqiptaro-kineze. Duke konsideruar ato që supozohej se Enver Hoxha pati shkruar kundër Kinës në librin «Shënime për Kinën», në vitet 1971-1976, atëhere i takonte që vetë Enver Hoxhatë qe influencuar nga «shpifjet e propagandës borgjezo-revizioniste». Por, aspekti më i habitshëm është ai se, derisa Enver Hoxha në ditarin e vet politik («Shënime për Kinën») e akuzonte udhëheqjen kineze për frymëzuese dhe organizatore të «komplotit» të zbuluar prej tij në Shqipëri, siç kam cituar më lart, Enver Hoxha, nga ana tjetër, i bën lavdërime të tilla, të pakursyera Kinës!?
Sigurisht që Ismail Kadare i paraqet gjërat sikur njerëzit në Shqipëri diskutonin lirisht për marrëdhëniet shqiptaro-kineze, për t’i thënë lexuesit të huaj, se në Shqipërinë e Enver Hoxhës kishte liri të shprehjes së mendimeve, para se shteti të shpallte të ashtuquajturën vijë të detyrueshme.
Në librin e Shaban Sinanit «Një dosje për Kadarenë» janë publikuar pesë dokumente që përmbajnë kritikat që i janë bërë romanit të Kadaresë «Gjakftohtësia» (siç dihet, me këtë titull autori paraqiti për botim në 1981 romanin, që më pas u botua nën titullin «Koncert në fund të dimrit»). Këto pesë kritika të romanit kanë për autorë, që nga një person me emrin R. M., tek kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, Dritëro Agolli, drejtori i shtëpisë botuese «Naim Frashëri», Thanas Leci. Ajo që të bën përshtypje nga shqyrtimi i këtyre dokumenteve është fakti i pamohueshëm se të gjitha ato pjesë që kritikohen tek versioni i parë i romanit, që mban titullin «Gjakftohtësia», kanë mbetur të pandryshueshme tek versioni që u botua nën titullin «Koncert në fund të dimrit». Nga të gjitha këto kritika, ajo që po diskutohet më shumë sot, është dokumenti që në libër mban numrin 32 dhe që është relacioni i kryetarit të atëhershëm të Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli. Në kritikën e Dritëro Agollit ka pjesë racionale, por ka dhe pjesë ku tradhtohet animoziteti që tashmë ushqenin të dy ndaj njëri-tjetrit dhe që e shprehnin kur u jepej rasti. Në relacionin e vet Dritëro Agolli shkruan: «Romani është një satirë dhe një përqeshje me komunizmin, me parimet dhe idetë e tij, është një ironi dhe tallje nga pozita e një liberali europian. Kjo satirë dhe kjo tallje fshihen nën idenë e goditjes së socializmit kinez dhe të majtizmit të tij».[70]
Dritëro Agolli këtu sigurisht që ka ekzagjeruar pasi, me këtë logjikë edhe libri i Enver Hoxhës «Shënime për Kinën» del një libër disident, pasi tek ky libër kritikohet socializmi kinez. Ajo që të bën përshtypje në relacionin e Dritëro Agollit është fakti se fragmentet e romanit të Kadaresë që Agolli i ka kritikuar më rëndë kanë mbetur të pandryshuara në botimin e mëpasëm, atë të vitit 1988. Agolli në relacionin e vet shkruan: «Të kujtojmë, për shembull, mendimin e ministrit D për autokritikën. Autori shkruan: ‘ca fjalë të zakonshme mbledhjesh, porositë e Partisë, zotime për të ardhmen etj. etj. ca fraza të tilla dhe e shpëtonin edhe atë. Pastaj dinte vetë ai ta tirrte: një autokritikë të fortë për gjaknxehtësi, prepotencë, arrogancë, mosthellim në studimin e dokumenteve të Partisë, të veprave të shokut Enver dhe fësht kalonte hendekun’. Pavarësisht se flitet për një personazh negativ e për mendimet e tij, këtu ironizohen edhe dokumentet e Partisë, edhe veprat e shokut Enver. Emri i shokut Enver nuk mund të vendoset në çdo vend ku t’i teket autorit».[71]
Por, ky fragment mbeti dhe në botimin e mëpasëm të romanit, nën titullin «Koncert në fund të dimrit»:
«...ca fjalë të zakonshme mbledhjesh, porositë e Partisë, zotime për të ardhmen etj. etj. ca fraza të tilla dhe e shpëtonin edhe atë. Pastaj dinte vetë ai ta tirrte: një autokritikë të fortë për gjaknxehtësi, prepotencë, arrogancë, mosthellim në studimin e dokumenteve të Partisë, të veprave të shokut Enver dhe fësht kalonte hendekun».[72]
Pse Kadaresë nuk iu zu për të madhe ky fragment në vitin 1981, kur e paraqiti romanin në konkurs dhe fitoi Çmimin e Republikës, si dhe në 1983, kur Dritëro Agolli e kritikoi romanin? Qendra supreme e inxhinieringut ideologjik të diktaturës e lejoi këtë fragment, duke qenë se e gjeti konvenues, pasi ky fragment shkonte mirë me atë që thoshte Enver Hoxha se armiku mund të kamuflohet edhe me terminologji pro Partisë dhe vetë atij Enver Hoxhës. Enver Hoxha në diskutimin e vet me titull «Shteti ynë u ngrit me gjak për të qenë i popullit», mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH, në 11 prill 1975, u shpreh:
«Prandaj Partia dhe klasa duhet të jenë sidomos vigjilente ndaj armiqve të çdo ngjyre dhe të çdo kalibri, që, me formula gjoja partie, gjoja leniniste, gjoja parimore, fshehin luftën që bëjnë në favor të restaurimit të kapitalizmit. Në punën e këtyre armiqve Partia dhe klasa nuk duhet të shohin vetëm lustrën e jashtme, fjalët bombastike dhe rrahjen me grushte të gjoksit, por të shikojnë dhe të gjykojnë me vigjilencë edhe ‘veprimet e mëdha të tyre, edhe veprimet e vogla’ pse veprimet sabotuese të mëdha mbështillen shumë herë me një iluzion euforik të rremë, që u del boja në veprimet e vogla të tyre».[73]
Kështu, kurrkush nuk qe paraprakisht i përjashtuar nga spastrimet, jo vetëm kundërshtarët realë, ata që flisnin kundër regjimit, por edhe ata që shpreheshin pro tij.
Në relacionin e Dritëro Agollit, më tutje shkruhet:
«Me të njëjtën gjuhë sarkastike ndaj veprave të klasikëve autori shkruan edhe për njerëzit e thjeshtë që janë përzier rastësisht me ata që kanë gabuar dhe që përpiqen të bëjnë autokritikë. Kështu për një punonjës të thjeshtë, Simon Dersha, që pat qenë në një darkë tek ministri, autori thotë se bën një autokritikë të tillë: ‘atje ku fliste për origjinën dhe gjendjen shoqërore të tij, ku dy herë brenda së njëjtës faqe kishte cituar veprën e Engelsit ‘Origjina e familjes, e pronës private dhe e shtetit’ (f. 415). Dhe më poshtë ‘Kishte prapë disa rreshta për psikologjinë mikroborgjeze, dhe pikëpamjet borgjezo-revizioniste për lumturinë personale, mbeturinat e së kaluarës në ndërgjegjen e tij pasojë e njëfarë puçimi të tij prej realitetit socialist’ (f. 417)».[74]
Të dy këto fragmente gjenden edhe në versionin e botuar të romanit, me një ndryshim të vogël, në vend të frazës «puçim nga realiteti socialist» është vënë fraza «veçim nga realiteti socialist»: «atje ku fliste për origjinën dhe gjendjen shoqërore të tij, ku dy herë brenda së njëjtës faqe kishte cituar veprën e Engelsit ‘Origjina e familjes, e pronës private dhe e shtetit’».[75]
Dhe më tutje:
«...kishte prapë disa rreshta për psikologjinë mikroborgjeze, dhe pikëpamjet borgjezo-revizioniste për lumturinë personale, mbeturinat e së kaluarës në ndërgjegjen e tij pasojë e njëfarë veçimi të tij prej realitetit socialist».[76]
Dritëro Agolli, edhe pse qe një funksionar i lartë i artit, efektivisht propagandës në kohën e regjimit komunist, me gjasë nuk pati arritur që ta kuptonte, ose bënte sikur nuk e kuptonte, thelbin e kësaj analogjie të Kadaresë midis autokritikës së ministrit «puçist» dhe asaj të nëpunësit të thjeshtë, për të cilin Kadare sajon neologjizmin si fjalë dhe koncept «puçim nga realiteti socialist». Në një sens të sigurt, Kadare kërkon që ta zgjerojë konceptin e puçit (komplot), sipas idesë që pati tek poezia «Në mesditë Byroja Politike u mblodh» (1975), kur e identifikoi burokratizmin me komplotizmin. Kurse në romanin «Gjakftohtësia» Kadare çdo lloj devijimi nga realiteti socialist, gjë që edhe për Enver Horxhën cilësohej si «shfaqje e huaj për njeriun e ri», e quan si një veprim puçist. Kjo është një logjikë polpotiane, e cila nëse do të zbatohej do ta shndërronte të ashtuquajturën «luftë kundër shfaqjeve të huaja» në një aspekt të terrorit shtetëror që godiste «puçistët» dhe «komplotistët», duke bërë që genocidi komunist në Shqipëri të arrinte përmasa dhe më të mëdha se në Kamboxhian e Pol Potit. Fakti që dy fragmentet e kritikuara nga Agolli kanë mbetur në versionin e botuar të romanit, me përjashtim të një fraze që është e hequr, për shkak se kjo frazë bartte një koncept polpotist, tregon se Kadare e pati kapur mirë kuptimin e thënies së Enver Hoxhës se ende gjallonte mentaliteti i kultivuar nga puçistët, çka do të thoshte se njerëzit kishin nevojë për «thellim» në analizën që i bënin vetvetes.
Në relacionin e vet, Dritëro Agolli shkruan:
«Edhe kur flet për ditarët për Kinën që mbante shoku Enver autori jep tablo të zbehta: ‘Enver Hoxha shfletonte ngadalë fletët e nxjerra nga ditari politik që e mbante prej vitesh. Ishin disa mijëra fletë që kishin lidhje me Kinën dhe që ai kishte kërkuar t’ia sillnin disa orë më parë, në shtëpinë në breg të detit ku kishte ardhur të kalonte fundin e javës’ (f. 466.). Po aty: ‘Ai e mënjanoi edhe më globin e vogël që ndodhej mbi tryezë për t’u bërë vend fletëve’. Në këtë rast I. Kadareja bën paralelizëm të gabuar me globin në mes të Mao Ce Dunit dhe Enver Hoxhës, me përjashtim se Mao Ce Duni ishte në shpellë, ndërsa shoku Enver në shtëpinë e pushimit në bregdet».[77]
Po, të dy këto fragmente mbetën të pandryshuar në versionin e botuar të romanit: «Enver Hoxha shfletonte ngadalë fletët e nxjerra nga ditari politik që e mbante prej vitesh. Ishin disa mijëra fletë që kishin lidhje me Kinën dhe që ai kishte kërkuar t’ia sillnin disa orë më parë, në shtëpinë në breg të detit ku kishte ardhur të kalonte fundin e javës. Ai e mënjanoi edhe më globin e vogël që ndodhej mbi tryezë për t’u bërë vend fletëve».[78]
«Paralelizëm i gabuar» thotë Dritëro Agolli. Por cili është kuptimi i paralelizmit? Ndërsa Mao Ce Duni në shpellë paraqitet si Hadesi, zoti i ferrit, Enver Hoxha paraqitet si Zeusi, zoti i qiejve dhe i tokës, që ve në lëvizje botën. Kjo duket qartë kur Kadare e bën Mao Ce Dunin që të meditojë kështu në shpellë:
«Dorën që kishte ende të mbështetur te muri i shpellës e shtrëngoi fort pas gurëve, sikur të donte t’i tundte. Në të vërtetë sa herë që bënte këtë gjë e përshkonte mendimi sesi mund të shkaktohej një tërmet. Zeusi i grekëve ishte budalla që kujtonte se mund ta trondiste dheun që larg nga retë, tha me vete. Globi tundet nga poshtë, nga themelet».[79]
Dhe Zeusi që lëviz botën është Enver Hoxha. Për të dhënë këtë përshtypje, autori thotë se Enver Hoxha mënjanoi me dorë globin që kishte mbi tavolinë dhe u bëri vend fletëve. Këtu kemi vizionin e Enver Hoxhës si «yll drite i botës» (siç thotë kënga që këndohej për Enver Hoxhën dhe që diktatori e lejoi), që ndriçon botën me mendimin e tij (fletët e librave të tij që rrinë në anë të globit, si dielli, si yjet), që e lëviz botën para, çka kuptohet kur Kadare thotë se globi lëviz për t’u hapur vend fletëve të librave të Enver Hoxhës). Ishte koha kur Enver Hoxha filloi ta quante veten si prijësi i komunizmit botëror, i vetmi kryetar i një shteti komunist që u qëndroi besnik mësimeve të klasikëve të marksizëm-leninizmit, njeriu që vigjëlonte mbi botë, duke e shqyrtuar dhe shpjeguar atë, si dhe duke i prirë botës drejt së ardhmes së ndritur komuniste. «Tablo të zbehta» thotë Dritëro Agolli për këto!? Por, e vërteta është se Kadare në rreshtat e mësipërme, në mënyrë shumë koncize dhe të fuqishme, por njëherësh shumë servile, ka arritur që të portretizojë liderin komunist, duke kënaqur gjithë etjen e këtij të fundit për madhështi mbinjerëzore. Rreshtat e mësipërme të Kadaresë përbëjnë me siguri kulmin e hosanasë dhe të servilizmit që ka bërë një shkrimtar i botës komuniste për ndonjë diktator komunist. Këto rreshta janë kulmi i divinizimit dhe glorifikimit që Kadare i ka bërë Enver Hoxhës. Vetëm me këto pak rreshta Ismail Kadare i ka bërë Enver Hoxhës një glorifikim më të madh se ai që i është bërë diktatorit në të gjitha faqet e shkruara për të nga shkrimtarët dhe poetët e realizmit socialist, si dhe nga rapsodët popullorë. Është interesante ngjashmëria midis paraqitjes së Enver Hoxhës në këtë fragment të romanit të Kadaresë dhe në këngën «Enver Hoxha mprehu shpatën», ku Enver Hoxha paraqitet si «yll drite» që lëshon rreze mbi botë, çka në një farë mënyre konfirmon zërat se Kadare në mos është autori i kësaj kënge, që u paraqit me firmën e një rapsodi popullor, është përpunues i tekstit fillestar, pra bashkautor.
Dritëro Agolli, kur e kritikon këtë fragment, me gjasë e ka marrë tepër seriozisht direktivën e Enver Hoxhës që të mos teprohej me lavdërimin e tij, çka sillte devijimin nga ortodoksia komuniste, të ashtuquajtur «kulti i personit». Por Enver Hoxha zakonisht mbetej i pakënaqur nga lavdërimet e tepruara vetëm kur atë e glorifikonin si kryezbulues të «komploteve», nder ky që diktatori parapëlqente t’ia falte Partisë - «gjethe fiku» e sundimit të vet të përgjakshëm. Kadare qe kritikuar për këtë gjë në 1975, pasi në poezinë «Në mesditë Byroja Politike u mblodh» ai e paraqet Enver Hoxhën në themelet e shtetit, në kriptën e regjimit, duke zbuluar burokratët-komplotistë që përdhosin kufomat dhe gjakun e dëshmorëve. Por, është sinjifikative se kur Kadare e glorifikon Enver Hoxhën, duke përjashtuar aspektin e përgjegjësisë së diktatorit për krimet e regjimit, çdo ekzagjerim i Kadaresë tolerohet.
Më tutje, në relacionin e vet Dritëro Agolli shkruan:
«Edhe në fushën e jetës shoqërore e politike autori e thumbon realitetin herë haptazi e herë përmes frazave të mbuluara. Ja si i përshkruan I. Kadare pasojat e të arrestuarve në pushtetin tonë, megjithëse më vonë gjendjen e sqaron: ‘Silva kafshoi buzën e poshtme nga mendimi se qysh në kartelën e parë të vajzës në anketën biografike që i bashkangjitej kërkesës për t’u pranuar në rini, më vonë në lutjen për t’u pranuar në universitet, pastaj në të gjitha dokumentet e mëvonshme, në dosjen personale të saj, përbri pyetjes: a keni njeri të arrestuar apo të dënuar gjatë viteve të pushtetit popullor, ndërsa shumica e shoqeve do të shkruanin ‘jo’, ajo, me dorë të dredhur do të shënonte: kam një dajë të...’ (f. 147).
Këto përshkrime e bëjnë socializmin si një zymtësi, ku njerëzit dridhen për fatin e tyre dhe për fatin e të afërmve dhe në përgjithësi për të ardhmen».[80]
Por ky fragment gjendet i pandryshuar edhe tek versioni i romanit që u botua: «Silva kafshoi buzën e poshtme nga mendimi se qysh në kartelën e parë të vajzës në anketën biografike që i bashkangjitej kërkesës për t’u pranuar në rini, më vonë në lutjen për t’u pranuar në universitet, pastaj në të gjitha dokumentet e mëvonshme, në dosjen personale të saj, përbri pyetjes: a keni njeri të arrestuar apo të dënuar gjatë viteve të pushtetit popullor, ndërsa shumica e shoqeve do të shkruanin ‘jo’, ajo, me dorë të dredhur do të shënonte: kam një dajë të...» [81]
Fakti që ky paragraf mbeti dhe në versionin e romanit që u botua, do të thotë se për regjimin qe i pëlqyeshëm dhe konvenues, pasi regjimi donte që njerëzit të jetonin me vetëdijen e fajit për të afërmit e tyre të dënuar prej regjimit, sipas parimit të fajësisë kolektive. Kështu regjimi i bënte të afërmit e viktimave të veta edhe bashkëpunëtorë të vetët në persekutimin e tyre. Paragrafi i mësipërm i Kadaresë duhet parë në kontekstin e romanit. Në romanin «Koncert në fund të dimrit» i njëjti personazh, Silva, pret shumë keq tezen e vet të martuar me një të deklasuar, që i vjen vizitë në shtëpi së bashku me vajzën e saj, moshatare me të bijën e Silvës, dhe u jep të kuptojnë atyre se nuk do që të ketë marrëdhënie me to. Prandaj, duke konsideruar këto, në rast se është dikush që ka një arsye sado të vogël për t’u krenuar, ky nuk është Kadare, por Dritëro Agolli që e ka bërë këtë kritikë, në këto terma.
Në relacionin e vet, Dritëro Agolli shkruan: «Autori e zhvesh personalitetin e njeriut në socializëm, e bën pa vlerë».[82]
Më tutje në relacionin e vet, Dritëro Agolli shkruan: «Një ide krejtësisht e shtrembër e romanit është ajo e luftës së liberalizmit kundër obskurantizmit, apo e Azisë me Europën, apo e ‘kinezërive’ me ‘europeizmin’, siç ka dëshirë të shprehet autori. Dhe kjo nuk ka të bëjë fare me luftën parimore të marksizëm-leninizmit me revizionizmin, apo ekstremizmin kinez, luftën që bënte dhe bën Partia jonë. Duke e shtruar problemin në këtë mënyrë autori është jo vetëm për liberalizmin europian, por në të njëjtën kohë shfaq edhe pikëpamje raciste. Ai nuk ka aspak besim se edhe në Kinë apo Azi mund të lindin ide përparimtare apo mund të fitojë socializmi. Kinezët dhe aziatikët ai i quan inferiorë ndaj europianëve dhe të paaftë për ta çuar përpara shoqërinë, prandaj tallet me ta, me fizikun dhe mendjen e tyre. Sipas tij ata duan të përsëritin epokën e Çingis Hanit apo Timurlengut. Për autorin gjithë problemi është që Shqipëria të ruajë ‘rezervat e europeizmit’ dhe të mos aziatizohet, pa për socializmin dhe komunizmin aq i bën! Kjo shprehet në mendimet e Mao Ce Dunit, mendime që janë të vetë autorit: ‘Rezerva e europianizmit të tyre (të shqiptarëve) do të pakësohej dalëngadalë’. (fq. 36) Dhe po atje: ‘Azia ia kishte vënë syrin këtij vendi shtatë shekuj më parë. Tani do të kinezizohej’ (fq. 89).
Në gojën e Mao Ce Dunit autori vë këto fjalë për vendin tonë dhe për Europën: ‘vend i vogël në një kontinent të urryer, që quhet Europë (fq. 29)... Dhe për të trullosur trurin e Europës Mao Ce Duni, sipas autorit shpik idenë e tij, marihuanën, një drogë: ‘Trullos një herë Europën, i kishte thënë e shoqja para ca kohësh, dhe zëre se ke trullosur botën. Truri i Europës ishte më i keqi nga të gjithë’ (fq. 89).
E quajmë të tepërt të japim shembuj të tjerë për këtë problem të shtruar në roman. Vetëm duam të shtojmë se racizmit kinez autori i përgjigjet po me racizëm europian. Edhe shqiptarët, sipas Ismail Kadaresë i urrejnë kinezët në mënyrë raciste».[83]
Por të dy fjalitë që kritikon Agolli, gjenden në botimin e mëpasëm që iu bë romanit, nën titullin «Koncert në fund të dimrit»: «Pra, letra vjen nga larg, tha ai me vete, nga Shqipëria. Ky është një vend i vogël në një kontinent të urryer që quhet Evropë».[84]
Dhe më tutje: «Trullos një herë Europën, i kishte thënë e shoqja para ca kohësh, dhe zëre se ke trullosur botën. Truri i Evropës ishte më i keqi nga të gjithë».[85]
Enver Hoxha, në librin «Shënime për Kinën», zbulon të ketë atë prirje që studiuesi A. Avtorkhanov e gjen tek Stalini, duke e përshkruar kështu në librin bestseller «Vdekja e Stalinit: komploti i Berias»: «Stalini e kishte zakon që t’u vishte armiqve të tij qëllimet e veta kriminale. Historia e luftës së tij për të hipur në fronin e Leninit është e mbushur plot me shembuj të tillë. Edhe më vonë taktika e tij mbeti e pandryshuar».[86]
Enver Hoxha, që filloi të ftohet me Mao Ce Dunin dhe me Kinën në kohën që këta filluan të afrohen me SHBA-të dhe me Perëndimin në përgjithësi, në 1971, proces ky që pak vite më pas u zgjerua dhe në rrafshin e brendsëm të shoqërisë kineze, në ekonomi, art etj., këtu ia atribuon Mao Ce Dunit dhe Kinës, fajin e vet kriminal, antioksidentalizmin dhe kursin izolacionist ku e pati futur Shqipërinë, kurs që e ruajti edhe pas prishjes me Kinën. Kështu, Enver Hoxha i paraqiste gjërat sikur me ftohjen dhe më pas me prishjen me Kinën, ai e pati shpëtuar Shqipërinë nga aziatizimi dhe kinezifikimi. Në romanin «Gjakftohtësia» («Koncert në fund të dimrit») jemi para rastit kur Enver Hoxha, me anë të propagandistit të vet Ismail Kadare i atribuon Mao Ce Dunit fajet kriminale në adresë të Shqipërisë për të cilat vetë Hoxha qe përgjegjës, pra aziatizimin dhe largimin prej Europës. Por, në rast se Shqipëria do të kishte hyrë në kursin në të cilin Mao Ce Duni e futi Kinën në vitin 1971-1972, pra të hapjes nga Perëndimi dhe SHBA-të, atëhere Shqipëria jo vetëm që nuk do të harxhonte rezervën e europeizmit dhe nuk do të kinezizohej, sikur i atribuon Kadare të ketë menduar Mao Ce Duni, por Shqipëria do të oksidentalizohej më shpejt.
Sa për paraqitjen e Mao Ce Dunit nga Kadare si një lloj narkoterroristi ndërkombëtar, që kërkon ta përdorë drogën për të arritur qëllime në rrafsh të inxhinieringut njerëzor, gjë të cilën Shqipëria komuniste nuk e pranon, kjo me siguri është bërë që regjimi komunist shqiptar të çlirohet nga akuzat që filluan të vijnë në atë kohë nga Perëndimi, sikur Shqipëria qe bërë një vend prej nga ku shpërndahej në Europë droga e ardhur nga Kina. Por, Dritëro Agolli nuk mund të dinte gjë për këto kumte që përcillte Kadare në Perëndim me anë të librave të veta, si zëdhënës special i regjimit komunist shqiptar. Dritëro Agolli e ka thënë saktë se në romanin e Kadaresë ka nota të forta racizmi antikinez. Ismail Kadare ve në gojën e një diplomati të ambasadës shqiptare në Paris këto fjalë që i thuhen një aktivisti komunist europian:
«- Shoku Krams, a s’mund të bisedojmë për një gjë më serioze? Është vërtet mërzi... do të thosha një muhabet kinezësh...
- Si? - ia bëri i habitur Huan Maria Kramsi. - Ju mendoni se bisedat mund të ndahen në...
Tjetri i buzëqeshi gjerë, duke bërë një lëvizje të pakuptueshme».[87]
Gjithashtu, në roman, Kadare bën këtë përshkrim për një zyrtar kinez: «Hi-hi-hi, qeshte kinezi me një të qeshur kafke, që s’kishte asnjë lidhje me fjalët që thoshte».[88]
Këtu racizmi nuk shfaqet tek njerëzit e thjeshtë, siç ndodh gjithandej në roman, por tek një përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar. Interesante është se tek libri i Enver Hoxhës shfaqet qartë racizmi ndaj kinezëve, gjatë gjithë viteve të miqësisë me ta (termi «kinezërira» për të cilin Agolli e kritikon Kadarenë, është në fakt një neologjizëm i Enver Hoxhës, në librin «Shënime për Kinën»). Racizmi i Kadaresë dhe i vetë Enver Hoxhës ndaj kinezëve është së paku një mosmirënjohje e madhe, pasi sado që miqësia me Kinën qe një anomali dhe devijim nga kursi që duhej të ndiqte Shqipëria, përsëri Kina gjatë 18 viteve i dha ndihma të mëdha ekonomike Shqipërisë, mungesa e të cilave u ndie shumë në vitet 1980, kur Shqipëria krejt e izoluar hyri në një epokë mjerimi të llojit të vendeve më të varfra afrikane.
Të gjitha këto që u cituan më lart e bëjnë këtë roman të Kadaresë një monument turpi të letërsisë botërore, një shembull se si shkrimtari vihet në shërbim të tiranit gjakatar me një zell të tepruar dhe me një fantazi të madhe, duke dashur të sigurojë sa më tepër benefice nga kjo gjë. Për këtë roman Kadare do të duhej që t’u kërkonte falje shqiptarëve, në radhë të parë shqiptarëve që u bënë viktima të terrorit enverian në vitet 1973-1975, por dhe kinezëve. Por në rast se Kadare do ta bënte këtë, ai nuk do të qe Kadare që është. Kadare e zbaton në sensin e kundërt që kishte Shekspiri atë sentencën që ky i fundit ve në gojën e Hamletit «qëndroji besnik vetvetes».
[3] Po aty, f. 41.
[7] Enver Hoxha: «Shënime për Kinën», vol. II, «8 nëntori», Tiranë, 1979, f. 109.
[8] Po aty, f. 196.
[10] Po aty, f. 55.
[12] Po aty, f. 110.
[13] «Letër e KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe e Qeverisë së RPS të Shqipërisë drejtuar KQ të Partisë Komuniste të Kinës dhe Qeverisë Kineze», «8 nëntori», Tiranë, 1978, f. 31.
[14] «E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi», Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë, Tiranë, 1990, fq. 633-634.
[18] Po aty, fq. 339-340.
[19] Po aty, fq. 329, 340-341.
[25] Po aty, fq. 373-375.
[26] Enver Hoxha: «Forca e pathyeshme e udhëheqjes marksiste-leniniste të Partisë sonë qëndron në unitetin e mendimit dhe veprimit», në Enver Hoxha: «Për ushtrinë popullore», vol. II, «8 nëntori», Tiranë 1984, fq. 21-70.
[29] Shih: Enver Hoxha, «Fjalimi i mbylljes në Plenumin VI të KQ të PPSH, në 17 dhjetor 1974, me titull «Të thellohemi më tej në analizën e komplotit të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos dhe të nxjerrim mësime për punën e Partisë në ushtri e në terren», në Enver Hoxha: «Për ushtrinë popullore», vol. II, «8 nëntori», Tiranë, 1984, fq. 177-263.
[30] Shih: Enver Hoxha, «Ti futemi thellë studimit të teorisë së artit ushtarak», në Enver Hoxha: «Për ushtrinë popullore», vol. II, «8 nëntori», Tiranë, 1984, fq. 264-282.
[33] Po aty, fq. 400-401.
[34] Po aty, f. 401.
[36] Po aty, fq. 124-125.
[38] Po aty, fq. 593-594.
[39] Po aty, f. 642.
[40] «Letër e KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe e Qeverisë së RPS të Shqipërisë drejtuar KQ të Partisë Komuniste të Kinës dhe Qeverisë Kineze», «8 nëntori», Tiranë, 1978, f. 32.
[41] Ismail Kadare: «Koncert në fund të dimrit», «Naim Frashëri», Tiranë, 1988, fq. 623-624.
[43] Po aty, f. 643.
[44] Shih: «Letër e KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe e Qeverisë së RPS të Shqipërisë drejtuar KQ të Partisë Komuniste të Kinës dhe Qeverisë Kineze», «8 nëntori», Tiranë, 1978, f. 3.
[47] Po aty, fq. 553-554.
[48] Po aty, fq. 557-558.
[49] Po aty, fq. 562-563.
[54] Po aty, fq. 691-692, 696.
[55] Po aty, f. 801.
[56] Po aty, f. 797.
[58] Po aty, fq. 136-138.
[59] Po aty, fq. 574-576.
[60] Po aty, f. 575.
[61] Po aty, f. 578.
[62] Po aty, fq. 528-530.
[63] Po aty, f. 65.
[64] Po aty, f. 71.
[65] Po aty, f. 24.
[67] Po aty.
[71] Po aty, f. 360.
[76] Po aty, f. 604.
[79] Po aty, f. 57.
[83] Po aty, f. 366.
[85] Po aty, f. 124.
[86] Abdurahman Avtorkhanov: «Vdekja e Stalinit: komploti i Berias», «Dituria», Tiranë, 1992, f. 71.
[88] Po aty, f. 339.





