Regjistri i kredive, skandali i rradhës dhe jo merita e guvernatorit Fullani




Nga Kastriot Myftaraj

    Para pak kohësh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani shpalli me bujë të madhe, në prani të përfaqësuesve të FMN dhe Bankës Botërore, bërjen prej Bankës së Shqipërisë të Regjistrit kombëtar të kredive, gjë që e quajti si një arritje të madhe të vetën. Për këtë gjë mori edhe komplimentat e ministrit të financave Bode dhe të kryeministrit Berisha. Por e vërteta është se Fullani është përgjegjës i drejtpërdrejtë që ky regjistër nuk është bërë vite më parë, si dhe për atë që kur ky regjistër u bë, ai u bë në një mënyrë të dyshimtë. Lexuesit duhet ta dijnë se Regjistri kombëtar i kredisë është një dokument themelor për funksionimin e sistemit banker të një vendi. Në Regjistrin kombëtar të kredive paraqiten të gjithë kredimarrësit në banka të ndryshme, jepen të dhëna për pozitën e tyre si kredimarrës, në ç’ pikë janë me shlyerjen e kredisë, etj. Kështu, bankat, nëpërmjet regjistrit mund të informohen për gjendjen financiare të klientëve të tyre. Institucionet ndërkombëtare financiare që asistojnë Shqipërinë, e kanë kërkuar madje financuar prej kohësh, bërjen e regjistrit kombëtar të kredive. Para se Fullani të bëhej guvernator i Bankës së Shqipërisë (2004) dhe kur ishte kryetar i Shoqatës së Bankierëve, dhe drejtor i përgjithshëm i Bankës Italo-shqiptare, ai i qëndronte pikëpamjes që Regjistrin kombëtar të kredive duhet ta bënte Shoqata e Bankierëve të Shqipërisë, një OJF, dhe jo Banka e Shqipërisë. Fullani e mbronte këtë pikëpamje me atë se kështu do të minimizohej influenca e shtetit dhe e politikës në realizimin e këtij projekti delikat. Por kuptohet se me këtë Fullani donte që ta kishte nën kontroll këtë projekt, pasi ai ishte kryetar i Shoqatës së Bankierëve të Shqipërisë. Atëherë GTZ vuri në dispozicion një grant prej 300 mijë dollarësh për të bërë Regjistrin kombëtar të kredive, dhe si partner për ta bërë këtë zgjodhi shoqatën e Bankierëve të Shqipërisë të drejtuar nga Fullani. Atëherë Fullani e sabotoi projektin për realizimin e Regjistrit kombëtar të kredive dhe ky fond u dogj. Arsyeja se përse Fullani e bëri këtë ishte se Fullani nuk donte që të dëmtoheshin miqtë e tij që kishin marrë kredi dhe kishin shkelur detyrimet, si tek Banka Italo-Shqiptare, ashtu dhe në banka të tjera.
    Kur Fullani erdhi në krye të Bankës së Shqipërisë, në 2004, çështja e bërjes së Regjistrit kombëtar të kredive ishte bërë emergjente. Me t’ u ulur në kolltukun e guvernatorit Fullani ndryshoi pikëpamjen dhe tha se një project kaq delikat dhe i rëndësishëm si Regjistri kombëtar i kredive duhej të realizohej nga Banka e Shqipërisë, se ajo i kishte të gjitha kapacitetet për ta bërë atë. Me këtë Fullani e pohoi praktikisht se ai ishte një njeri joserioz, që ishte tallur me një projekt kaq të rëndësishëm dhe e kishte sabotuar atë qëllimisht. Në një vend serioz vetëm kjo deklaratë e Fullanit do të mjaftonte që ai të shkarkohej nga posti që mbante, porn ë Shqipëri, ku këtë gjë e ka në dorë parlamenti, nuk ndodhi kështu. Për një projekt kaq të rëndësishëm, siç është Regjistri kombëtar i kredive, ishte dashur të bëhej tender i hapur ndërkombëtar dhe të merrej një kompani e specializuar dhe prestigjioze perëndimore, se për këtë projekt ia vlen që të mos kursehen paratë, aq më tepër që Fullani, në vitet 2006-2008 (duke llogaritur dhe buxhetin e Bankës së Shqipërisë së vitit 2008), ka shpenzuar dhe po shpenzon shuma tepër të mëdha për kompensim ushqimor të punonjësve, shpenzime sportive, ekskursione, festa., siç e kam treguar në shkrimin e kaluar për Bankën e Shqipërisë. Pasi e vonoi tre vjet zbatimin e projektit për Regjistrin kombëtar të kredive, Fullani, më në fund, në korrik 2007 ia dha zbatimin e këtij projekti, me prokurim të drejtpërdrejtë, kompanisë nga Kosova “PRONET”. Fullani e justifikoi këtë veprim të vetin me arsyetimin se kjo kompani ofronte një çmim mjaft të arsyeshëm për këtë shërbim (250 mijë dollarë), çka e lehtësonte shumë barrën e këtij projekti për buxhetin e Bankës së Shqipërisë, dhe se kjo kompani kishte realizuar një projekt të ngjashëm në Kosovë. Kur Fullani shqetësohet bër buxhetin e Bankës së Shqipërisë, ka një hile të madhe nga pas. Në vitet 2006-2008 Fullani ka shpenzuar dhe ka ndarë për të shpenzuar në buxhetin e Bankës së Shqipërisë, 105 milion lekë të reja vetëm për kompensim ushqimi të punonjësve të Bankës së Shqipërisë gjatë orarit të punës, shpenzime sportive dhe ekskursione, pra mbi katër herë se shuma që u dha për projektin e Regjistrit kombëtar të kredive. Atëherë pse u tregua Fullani “dorështrënguar” me paratë e Bankës së Shqipërisë, në rastin e këtij projekti. Fullani e bëri këtë gjë se nuk donte të bënte një Regjistër kombëtar të kredive sipas parametrave të vendeve perëndimore.     Nëse do të shikoni faqen on-line të kompanisë “Pronet” (http://www.pronet-ks.com/info.shtml) do të vini re se ajo bën këtë vetëprezantim: “PRONET është kompani kosovare me seli në Prishtinë e themeluar në fillim të vitit 1997. Ofrojmë zgjidhje të kualitetit të lartë në lëminë e teknologjisë informative dhe të telekomunikimeve, paisje të prodhuesve më të njohur botëror, zgjidhje origjinale hardverike dhe softverike, konsallting informatik, përkrahje dhe mirëmbajtje të sistemeve”.
    Të gjithë e dijnë se si ishte situate në Kosovë në 1997, në prag të luftës, kur u krijua kjo kompani, dhe se si kanë qenë vitet në vazhdim derisa filluan të ecin disi gjërat. Është ironi e madhe që në Kosovë të shkojnë nga Republika e Shqipërisë qindra njerëz të punësuar nga UNMIK, në sektorë të ndryshëm publikë, duke përfshirë dhe ngritjen e sistemit financiar, ndërsa nga Kosova vjen një kompani dilettante, për të bërë një gjë kaq delicate dhe të rëndësishme, si Regjistri kombëtar i kredive! E të mendosh se këtë projekt e bën një kompani që në tekstin e  vetëprezantimit të saj on-line ka frazën “konsallting informatik”! Ose ta shkruanin shqip “konsultim informatik”, ose nëse donin ta shkruanin patjetër anglisht, le ta vinin siç shkruhet dhe jo siç lexohet, se kjo ëhstë një marrëzi e habitshme! Me kompaninë amatore “PRONET” as që mund të besohet se Fullani ka bërë Regjistrin kombëtar të kredive, sipas parametrave ndërkombëtare. Kjo kompani nuk ka as kredencialet më minimale për ta bërë një punë të tillë dhe fakti që ajo ka bërë regjistrin e kredive në Kosovë, nuk mund të jetë tjetër veç provë e papërgjegjshmërisë së burokracisë ndërkombëtare në Kosovë, në bërjen e punëve, derisa një gjë kaq delikate për ekonominë kosovare, siç është regjistri i kredive, i jepet një kompanie vendore që e bënte për herë të parë këtë gjë. Me sa duket këtu kanë influencuar lobet e dyshimta që në bashkëpunim me burokratë ndërkombëtarë, duan të fshehin punët e tyre të pista në ekonominë kosovare. Dhe pastaj kjo kompani e përdor si kredencial, bërjen e regjistrit të kredive në Kosovë, për të marrë të njëtin projekt në Republikën e Shqipërisë! Si është e mundur që Fullani, i cili për restaurimin e ndërtesës ku është selia qëndrore e Bankës së Shqipërisë në Tiranë, ka njoftuar një tender të hapur ndërkombëtar, për regjistrin kombëtar të kredive procedon me prokurim të drejtpërdrejtë në favor të një kompanie diletante nga Kosova!
    Është një papërgjegjshmëri e madhe nga ana e qeverisë që kryeministri Berisha dhe ministri i financave Bode e lavdëruan Fullanin për realizimin e regjistrit kombëtar të kredive, kur në fakt ajo gjë që është bërë nuk vlen dhe duhet bërë nga e para prej një kompanie serioze të huaj. Kush duhet të përgjigjet për këtë gjë? Sigurisht që Fullani dhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës që morën vendimin që këtë projekt ta bënte kompania “PRONET”. Për këtë gjë ata duhet të mbajnë deri përgjegjësi penale. Fullani në raportin që do të mbajë së shpejti në Kuvend do ta quajë një arritje të madhe bërjen e Regjistrit kombëtar të kredive, dhe shumica e deputetëve, dhe jo më e teleshikuesve që do ta ndjekin nga ekranet, nuk do ta kuptojnë se ku qëndron problemi me këtë të ashtuquajtue arritje të madhe. Opozita i kalon pa kritika raportet e Fullanit dhe kështu do të bëjë dhe këtë herë. Opozita nuk tha asgjë për skandalin e bërjes së regjistrit kombëtar të kredive nga kompania diletante “PRONET”, edhe pse ekonomistët dhe financierët e kuptojnë shumë mirë rëndësinë që ka për sistemin banker dhe ekonominë në përgjithësi regjistri kombëtar i kredive.
    Por Fullani ka dhe një skandal tjetër me kreditë, që do të zbulohej nëse deputetët i kërkojnë atij të hartojë dhe të paraqesë regjistrin e kredive të dhëna për personelin e Bankës së Shqipërisë. Atëherë do të dalin abuzime gjigande dhe do të shihet se Fullani shpërndan “dhurata” në formë kredish me 0.5% interes në vit, dhe me afat shlyerjeje 30 vjet, për personelin e Bankës së Shqipërisë, që nga zëvendësguvernatori dhe deri tek rojet e shoferët, për t’ i patur ata kukulla të bindura të tij. Deri edhe ditën e fundit të vitit të kaluar, në prag të vitit të ri, Fullani ka shpërndarë kredi nga 10-12 milion lekë të reja për njerëzit e klanit të tij. Në këtë regjistër, nëse do të paraqitej, do të shihej se ka njerëz që kanë marrë disa herë kredi të mëdha, të privilegjuara, me justifikimin se janë të pastrehë, kur kanë disa shtëpi. Kredi të privilegjuara me 10-12 milion lekë të reja kanë marrë vetë Fullani (12 milion lekë të reja), zëvendësguvernatori Fatos Ibrahimi, krahu i tij i djathtë, Dashamir Halili, i cili një herë ka qenë i paditur në gjykatë nga Banka e Shqipërisë, për mosshlyerje kredie, dhe që Fullani e riktheu në Bankë kur u bë guvernator, drejtoresha e marrëdhënieve publike, Ina Kraja, drejtori i thesarit, Valer Miho, këshilltari i tij, drejtori i departamentit të administrimit, Agron Skënderaga, Hekuran Palumi, sa për të përmendur vetëm disa, dhe deri tek rojet e shoferët që kanë marrë nga 8 milion lekë të reja. Nëse do të bëhej një investigim në kreditë e privilegjuara që ka dhënë Fullani për personelin e Bankës së Shqipërisë, dhe do të shikohet justifikimi me të cilin janë marrë kreditë, dhe pronat që kanë punonjësit e Bankës, ose familjarët e tyre, do të shikohet se është bërë një abuzim i tmerrshëm me paratë e Bankës në dobi të njerëzve të pasur, aq më tepër kur këta marrin rroga dhe shpërblime të mëdha. Edhe pse për vitin 2007 u dhanë kredi të privilegjuara për personelin e Bankës së Shqipërisë, në masën 1 miliard lekë të reja, në vitin 2008 janë ndarë në buxhet për këtë qëllim 1. 4 miliard lekë të reja, pra 40% më shumë! Kujt do t’ ia japin këto para meqë nuk ka mbetur njeri pa marrë kredi, dhe një grup ka marrë dhe nga disa kredi? Me siguri që do të bëjnë bis me nga një thes me para edhe në 2008, dhe përsëri në 2009.