Nga Kastriot Myftaraj
Gazetari i gazetës “New York Times” i ardhur në Shqipëri para pak kohësh për të hetuar skemën e pistë që kishin ngritur kryeministri Berisha dhe Ministri i Mbrojtjes Mediu për të nxjerrë përfitime abuzive nga shitja e municioneve që do t’ i bëhej një kompanie amerikane, për llogari të Pentagonit, në fakt u bë palë me njërën linjë mafioze që kërkonte të siguronte përfitime abuzive në këtë aferë. Gazetari i gazetës “New York Times”, pas investigimit, me të drejtë e quajti skemë abuzive atë që kishin bërë Berisha dhe Mediu, duke futur si pykë kompaninë fantazmë “Edvin Ltd”, me qendër në Qipro, për të bërë komisionerin për llogari të MEICO, në shitjen e municioneve tek kompania amerikane AEY. Është e qartë se “Edvin Ltd” duke kërkuar një çmim prej 40 USD për 1000 copë fishekë, në vend të 22 USD për 1000 copë fishekë, sa ç’ ishte rënë dakord paraprakisht t’ i shiste MEICO, donte të siguronte një përfitim për Mediun dhe Berishën. Nga diferenca prej 18 USD për 1000 fishekë, kompania “Edvin LTD”, do të merrte veç një përqindje të vogël për shërbimin e ofruar, që të funksiononte skema korruptive, ndërsa pjesën më të madhe të shumës do ta merrnin Berisha dhe Mediu. Deri këtu gazetari i “New York Times” ishte në shumë në rregull.
Por, gazetari investigativ i “New York Times”, që supozohet të jetë një njeri i elitës së gazetarisë botërore, çuditërisht ka mbyllur sytë para linjës tjetër abuzive në këtë aferë të pistë. Gazetari i “New York Times” çuditërisht nuk ka investiguar mbi faktin që porosinë e Pentagonit e mori kompania amerikane “BETA”, e cila nuk erdhi në Shqipëri që të kontraktojë drejtpërdrejt me qeverinë shqiptare, por shkoi në Miami Beach ku nënkontraktoi kompaninë AEY, që të shërbente si komisioner për të, për të blerë municione në Shqipëri tek MEICO. Si nuk dyshoi për asnjë moment gazetari i “New York Times” se AEY u nënkontraktua për të bërë të njëjtën punë si “Edvin LTD”, por në linjën tjetër. Për të zbuluar këtë gjë, gazetari i “New York Times”, mjaft të investigonte se pasi AEY të blinte nga MEICO me 22 USD për 1000 copë fishekë, sa do ta rriste çmimin kur t’ ia kalonte kompanisë BETA? Sepse, sado paradoksale që të duket, arsyeja për të cilën kompania BETA e nënkontraktoi kompaninë AEY që të kryente tregtinë me MEICO, ishte që AEY t’ ia kalonte kompanisë BETA sasinë e blerë me një çmim të rritur, madje mbi 40 USD për 1000 fishekë.
Diferencën që do të fitonte AEY nuk do ta mbante pronari i saj Efraim Diveroli, por ai, pasi të mbante një përqindje fare të vogël për vete, si komisioner, ashtu siç do të bënte dhe Henri Tomei i “Edvin Ltd”, në anën tjetër, do t’ ia kalonte kompanisë BETA por në llogari të tjera, në banka të ngritura në vende që janë parajsa të spekulantëve. Këto para do t’ i merrnin ata njerëz në Pentagon që i dhanë kontratën fitimprurëse prej 300 milion USD kompanisë BETA, për të furnizuar me municione forcat e sigurisë afgane, si dhe njerëz të tjerë të kompanisë BETA. Tek ky përfundim logjik të çon fakti që “BETA” ka nënkontraktuar AEY vetëm për të hedhur dy firma, një në kontratën me MEICO, dhe një në atë me “JOY” të Kosta Trebickës! Këtë gjë e kuptoj unë një gazetar në Shqipërinë e humbur dhe nuk na e kuptoi gazetari i “New York Times”! AEY Inc, me pronar Efraim Diveroli, është një kompani e krijuar në vitin 1999, që ka tetë punonjës, ku përfshihen Diveroli, sekretarja e tij, pastruesja e ndoshta shoferi. Kjo kompani ka një xhiro vjetore prej vetëm 630 mijë USD. Merret vesh, AEY Inc është një alter ego e “Edvin LTD”. Për këto të dhëna dhe të tjera mbi AEY dhe Efraim Diveroli mund të shikoni tek “Essential business information on demand” (http://www.manta.com/coms2/dnbcompany_gdvcjëw) se AEY nuk ka faqe prezantimi on-line. Në faqen on-line të kompanisë “BETA” (http://www.betaco.com/distributors.asp) jepet një listë e gjatë e kompanive partnere, duke u dhënë adresa e faqes në Internet, përveç AEY, e cila nuk ka një faqe në Internet. Gazetari investigativ i “New York Times” nuk do ta kishte të vështirë që ta kuptonte se përse bëhej fjalë me këto të dhëna dhe të zbulonte krejt të vërtetën. Gazetari i “New York Times” që e kuptoi menjëherë se kush ishte Henri Tomei i Edvin Ltd, bëri sikur nuk e kuptoi se kush ishte Efraim Diveroli, sivëllai i Henri Tomei!
Si është e mundur që gazetari i “New York Times” nuk e kuptoi se linja abuzuese qeveritare shqiptare Berisha-Mediu-Pinari-Tomei nuk ishte gjë tjetër veçse rivalja e linjës tjetër abuzuese. Si është e mundur që gazetari i “New York Times” nuk e kuptoi se Berisha dhe Mediu, duke e kuptuar se AEY ishte një ekspedient që t’ u hiqte atyre përfitimin abuziv nga kjo aferë, që do të shkonte në dobi të të tjerëve, duke u lënë vetëm disa thërrime, futën në lojë “vëllain siamez” të komisionarit Efraim Diveroli, që ishte Henri Tomei, një zviceran, që për këtë aferë krijoi një kompani fantazmë në Qipro, “Edvin Ltd”, që është motra e denjë e AEY. Si është e mundur që gazetari i “New York Times” nuk e kuptoi se kur Berisha dhe Mediu, me anë të drejtorit të MEICO, Pinari, i kërkuan Diveroli-t të AEY, që të kontraktonte jo drejtpërdrejt me MEICO, por me “Edvin LTD”, që paraqitej si komisioner i MEICO, duke kërkuar një çmim dy herë më të lartë, se ç’ ishte gati të paguante Diveroli, në fakt po luanin kartën e tyre “Diveroli”? Si nuk e kuptoi gazetari amerikan se konflikti në këtë aferë kishte ardhur jo thjesht se atje kishte dalë një “Edvin Ltd” dhe Tomei, por se ishin përplasur dy “Tomei” dhe dy “Edvin LTD”. Gazetari i “New York Times” këtu do ta kuptonte se gjendej para një “Irangate” të ri, madje një Dubël-“Irangate” se atje ishin duke u përplasur dy “Oliver North” (Oliver North ishte zyrtari i Pentagonit përgjegjës për skandalin e shitjes së armëve, Irangate), njëri që i kishte dhënë kompanisë “BETA” kontratën fitimprurëse, nga e cila synonte të përfitonte nëpërmjet AEY dhe tjetri që mbështeste Berishën dhe Mediun dhe që priste të përfitonte nëpërmjet “Edvin Ltd”.
Nëse gazetari amerikan do të kishte investiguar, se ai i kishte mundësitë ta bënte, ashtu si në Irangate, veç armëve mund të dilte dhe droga se Afganistani është një prodhues i madh i drogës dhe me shumë gjasë avionët apo anijet që do të çonin municionet në Afganistan në kthim do të ngarkoheshin me drogë. Por gazetari i “New York Times” nuk investigoi se ai ishte angazhuar në këtë çështje si palë me njërën nga linjat abuzuese mafioze në këtë çështje, atë Diveroli (Trebicka)-AEY-BETA-njeriu misterioz në Pentagon. Në fakt gazetarin e “New York Times” e solli në Shqipëri Kosta Trebicka, njeriu shumë i dyshimtë që u bë nënkontraktor i AEY, që ishte vetë nënkontraktore. Kosta Trebicka është pronari i një parukerie që gjendet pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, dhe ku shërbejnë disa vajza filipinase. Sipas atyre që thonë Kosta Trebicka dhe Efraim Diveroli në bisedën e përgjuar të tyre, del se në fakt parukeria e Kosta Trebickës ka qenë mënyra se si kamuflohej një bordell. Kështu, nënkontraktori shqiptar i një kompanie amerikane të kontraktuar nga Pentagoni, njeriu që praktikisht do të bënte gjithë punën në Shqipëri, ishte në fakt një pronar bordelli! Këtij pronari bordelli iu dha e drejta që si nënkontraktor të menaxhonte municionet, duke i nxjerrë nga arkat dhe duke i ripaketuar në... aeroportin e Rinasit, aeroportin e vetëm civil ndërkombëtar të Shqipërisë. Sigurisht që kjo u bë në pjesën e aeroportit që është në dispozicion të ushtrisë, por nëse do të ndodhte një incident, pasojat do të qenë katastrofale për gjithë aeroportin, duke konsideruar dhe çisternat e furnizimit të avionëve që gjenden vazhdimisht atje! Ky ishte profesionalizmi i kompanisë të kontraktuar nga Pentagoni, që një pronar bordelli të menaxhonte municionet në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë!
Nëse gazetari amerikan do të kishte pasur si qëllim investigimin, ai do të duhej që të investigonte pak dhe se kush ishte ky Kosta Trebicka, dhe do të zbulonte se ai është një njeri shumë interesant se ai ka qenë drejtor i Anglo-Adriatica, një nga kompanitë që operonte njëlloj si firmat piramidale deri në vitin 1997, dhe që ishte në fakt një kompani grekësh, që është një nga ato që grabiti shqiptarët. Gazetari amerikan duhet të investigonte dhe në atë pistë që hapet kur Trebicka thotë se është njeriu i CIA, kjo ngre një tjetër pikëpyetje për CIA-n për ngjarjet e vitit 1997, kur atëherë në CIA ishte nr. 2 greko-amerikani George Tenet. Nëse gazetari i “New York Times” do të kishte si qëllim investigimin për zbulimin e së vërtetës, atëherë ai duhet të hetonte dhe për atë që ka deklaruar Trebicka se ka qenë një punonjës i NATO në Tiranë me emrin Aleks, që mbronte interesat e AEY në Shqipëri dhe komandonte Efraim Diveroli-n? A nuk do të çojë kjo në gjurmët e “Oliver North” në Washington? Si nuk pyeti gazetari amerikan se ç’ është ky punonjës i NATO në Tiranë me emrin Aleks që bën dhe përfaqësuesin e një kompanie private komisioneve, aq më tepër si ajo e Diveroli? I bie që ky Aleksi të jetë një nga tetë punëtorët e Diveroli. Sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave të vendeve të NATO, ky Aleksi po vepron në shpërdorim të detyrës.
Por gazetari i “New York Times” erdhi në Shqipëri me porosi të atij njeriut misterioz në Washington, që kishte llogaritur të përfitonte abuzivisht në aferën e blerjes së municioneve në Shqipëri, me anë të BETA-AEY dhe që po shikonte t’ i ikte nga duart fitimi për shkak se Berisha dhe Mediu ishin lidhur me një tjetër njeri në Washington që për të përfituar abuzivisht i nxiste që ta prishnin skemën BETA-AEY-MEICO, duke nxjerrë atë Meico-Edvin Ltd- AEY-BETA. A thua nuk e kuptoi gazetari i “New York Times” se në këtë aferë bëhet fjalë për dy linja të pista tregtie armësh, që kryqëzohen në itinerarin Washington-Tiranë-Washington, dhe të cilat kanë dashur të nxjerrin përfitime abuzive nga shuma e akorduar prej Pentagonit, prej 298 milion USD për të blerë municione të ndryshme për forcat e sigurisë së Afganistanit? Sigurisht e kuptoi por ai ishte palë dhe jo njeri përmbi palët. Duket se edhe atij ia ka marrë mendjen Kosta Trebicka me kurvat e tij, ashtu siç del nga përgjimet se bëhej me njerëzit që ishin të përzier në këtë aferë. Tashmë në Tiranë do të vijnë edhe njerëzit e FBI për të hetuar edhe për këtë çështje, veç shpërthimit të Gërdecit. Por, nëse nuk arrestohet urgjentisht në SHBA Diveroli për të shkuar pastaj drejt “Oliver North” nuk ka hetim serioz amerikan për çështjen për të cilën “investigoi” gazetari i “New York Times”.





