Ja anët e aferës së pistë të tregtisë së armëve, që fsheh artikulli i New York Times



Nga Kastriot Myftaraj

    Artikulli i shumëpritur i gazetës “New York Times” për skandalin e tregtisë së armëve ku është implikuar qeveria shqiptare më në fund u botua dhe ai përqëndrohet thuajse tërësisht tek çështja e aferës së municioneve të destinuar për në Afghanistan, që u blenë në Shqipëri nga një kompani amerikane, që ishte kontraktuar nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA (Pentagoni). Artikulli, ashtu siç e kam paralajmëruar unë në një shkrim që ditën e dielë, linte në heshtje qëllimisht një pjesë të skandalit. Artikulli zbulon qartë dhe saktë vetëm njërën linjë të abuzimeve, atë qeveria shqiptare (Berisha-Mediu-Pinari-Delijorgji)- “Edvin Ltd”, ndërsa në linjën tjetër të abuzimit donte ta linte përgjegjësinë tek kompania-fantazmë amerikane AEY e 23 vjeçarit ekscentrik Efraim Diveroli. Artikulli i “New York Times”, i botuar në 27 mars, fillon me një investigim për kompaninë amerikane AEY që është kontraktuar nga Pentagoni, për të furnizuar me municion ushtrinë afgane. “New York Times” e përshkruan AEY si një kompani-fantazmë që kishte në krye një 23 vjeçar ekscentrik me probleme me drejtësinë amerikane, Efraim Diveroli. “New York Times” i referohet Kosta Trebickës, partnerit shqiptar të Diveroli dhe përgjimeve të bisedave të tyre, por megjithatë çuditërisht “New York Times” nuk investigon për një fakt që del qartë këtu, atë se kompania AEY e Diveroli ishte nënkontraktuar nga kompania amerikane BETA, e cila kishte fituar porosinë e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA.
    Kosta Trebicka, në intervistën e djeshme tek “Shekulli” pyetet: “Zoti Trebicka, cili është roli juaj në kontratën që kompania AEY kishte me MEICO-n për furnizimin me municion të ushtrive aleate në Afganistan”. (cituar sipas: gazeta “Shekulli”, 21 mars 2008, f. 5) Siç e shikoni gazetari i “Shekulli” është krejt injorant për çështjen dhe nuk e di se bëhet fjalë për furnizimin e forcave afgane të sigurisë, siç thuhet dhe në faqen on-line të Pentagonit, dhe jo të forcave të koalicionit ndërkombëtar në Afganistan. Por ajo që na intereson është përgjigja e Kosta Trebickës: “Mua më ka marrë në telefon një përfaqësues i firmës amerikane AEY në fillim të prillit 2007 dhe më thotë që më kishin zgjedhur mua si nënkontraktor për të paketuar materiale, të cilat do të dërgoheshin në Afganistan. Tenderi 300 milion dollarë është fituar në qeverinë amerikane nga BETA, kompani që më pas ia ka dhënë AEY, si nënkontraktore për të blerë municion në vendet e lindjes”. (cituar sipas: gazeta “Shekulli”, 21 mars 2008, f. 5)
    Pra, porosinë e Pentagonit e merr kompania amerikane “BETA”, së cilës i sugjerohet nga Pentagoni që të blejë municione në Shqipëri. “BETA”, me të marrë pjesën e parë të shumës, 48 milion USD, nuk vjen në Shqipëri që të kontraktojë drejtpërdrejt me qeverinë shqiptare, por shkon në... Miami Beach. Atje “BETA” nënkontrakton kompaninë AEY, që të shërbejë si komisioner për të, për të blerë municione në Shqipëri tek MEICO. Nëse do të shikoni faqen on-line të kompanisë “BETA” (http://www.betaco.com/distributors.asp) do të vini re se atje jepet një listë e gjatë e  kompanive partnere, mes të cilave dhe AEY, duke u dhënë adresa e faqes në Internet. Por AEY është një nga ato pak kompani që nuk jepet kjo e dhënë, se AEY nuk ka një faqe në Internet. Është e qartë se AEY Inc është një nga ato kompani-fantazmë që shërbejnë për të bërë punë të pista për llogari të kompanive të tjera. Kuptohet se këtu ka një skemë të pistë, ku “BETA” kërkon ta përdorë AEY si dorezë të pistë. Këtu gjërat fillojnë të bëhen të dyshimta. Pse “BETA” nuk kontraktoi direkt me MEICO në Shqipëri, por mori si komisioner AEY Inc? Pse “BETA” po ia jepte një pjesë të parave AEY, kur mund t’ i mbante vetë, duke kontraktuar drejtpërdrejt me MEICO? AEY do të bënte thjesht komisionerin, duke kontraktuar me MEICO për llogari të “BETA”, ndërsa për procesin e punës (nxjerrjen e fishekëve nga arkat dhe ripaketimin) AEY nënkontrakton në Shqipëri kompaninë shqiptare “Joy” të Kosta Trebickës. Pra, “BETA” ka nënkontraktuar AEY vetëm për të hedhur dy firma, një në kontratën me MEICO, dhe një në atë me “JOY”! Para të lehta nuk ka në këtë botë thonë amerikanët, e megjithatë kjo nuk vlen për “BETA”!
    Gazetari i “New York Times” çuditërisht nuk ka investiguar mbi faktin që porosinë e Pentagonit e mori kompania amerikane “BETA”, e cila nuk erdhi në Shqipëri që të kontraktojë drejtpërdrejt me qeverinë shqiptare, por shkoi në Miami Beach ku nënkontraktoi kompaninë AEY, që të shërbente si komisioner për të, për të blerë municione në Shqipëri tek MEICO. Kompania BETA e nënkontraktoi AEY Diveroli pikërisht për të mos u përzier në atë pjesë të pistë të aferës që thotë artikulli i “New York Times”, pra se do të blihej në Shqipëri municion që nuk i përmbushte standardet dhe që ishte i prodhimit rus dhe kinez i para 40 vjetëve, problem që do të kapërcehej me falsifikime duke u paketuar dhe ripaketuar municioni në Shqipëri, para se të nisej në Afghanistan. Artikullshkruesit e “New York Times” bëjnë një mashtrim të trashë kur thonë se Pentagoni që ishte pala kontraktuese nuk kishte kërkesa specifike për afatin e prodhimit të sasisë së municionit që do të blihej.
    Mjaft që të shikoni në website qeveritar amerikan (www.fbo.gov)ku shpallen edhe tenderat FMS (FOREIGN MILITARY SALES), pra tenderat për ndihmat ushtarake që SHBA u ofron vendeve mike, siç është në këtë rast Afganistani, dhe do të konstatoni se rregulli për municionet e blera është që çfarëdo lloj municioni që blihet të jetë prodhuar jo më herët se para 20 vjetësh. Gjithashtu, në po të njëjtin website qeveritar të SHBA 
(http://www.fbo.gov/spg/USA/USAMC/DAAA09/Ë52P1J%2D08%2DR%2D0044/SynopsisP.html) do të shikoni një ofertë për tender për municion kalibri 12,7x108 pë forcat e armatosura të Afghanistanit, ku kërkohet që municioni të jetë i prodhuar jo më shumë se para 20 vjetësh. Në po këtë faqe qeveritare ushtarake amerikane (http://www.fbo.gov/spg/USA/USAMC/DAAA09/W52P1J%2D08%2DR%2D0053/SynopsisP.html) do të shikoni se atje ka një ofertë për tender për municion kalibri 7,62x51,  versioni sniper per ministrine e brendshme irakene dhe municioni duhet të jetë i prodhuar jo më shumë se para 20 vjetësh, ose i porsaprodhuar.
    Që të vijmë tek rasti për të cilin po flasim, në Shqipëri, derisa Pentagoni e ka kontraktuar në vitin 2007 kompaninë BETA (kjo nga ana e saj ka nënkontraktuar kompaninë AEY të Diveroli) që të blejë municione për të furnizuar Afganistanin, atëherë mund të thuhet se municionet e blera duhet të ishin të prodhuara jo më herët se viti 1987. Por Shqipëria nuk kishte rezerva të mëdha municioni të prodhuara në vitin 1987 (ato që u shitën në vitin 2007), apo në vitin 1988 (ato që u shitën në 2008).
    Shqipëria në vitet 2007-2008 nuk kishte 100 milion fishekë prodhim të viteve 1987-88 e tutje se në atë kohë ekonomia shqiptare kishte hyrë në kolaps dhe nuk ishte më as e mundur dhe as e nevojshme të prodhohej një sasi e tillë municionesh, si për shkak të kolapsit ku kishte hyrë ekonomia, ashtu edhe për shkak të rezervave ekzistuese. Municioni kinez i Shqipërisë ishte maksimumi prodhim i vitit 1975, ndërsa ai sovjetik maksimumi i vitit 1960. Këtë gjë duhej ta dinin ata zyrtarë në Pentagon që i sugjeruan kompanisë BETA që të blinte municion në Shqipëri. Ata e njihnin mirë armatimin e ushtrisë shqiptare. E vetmja mënyrë që Shqipëria të furnizonte kompaninë amerikane me municion sipas rregullave të Pentagonit, ishte që municioni ekzistues të nxirrej nga arkat dhe kutitë ku gjendej dhe të ripaketohej në kuti që do të mbanin një datë tjetër prodhimi. Kompania BETA që fitoi tenderin në Pentagon nuk deshi të përzihej në këtë aferë të ndyrë, prandaj nënkontraktoi kompaninë AEY të Efraim Diveroli në Miami që të shkonte për llogari të saj në Shqipëri dhe të blinte nga MEICO (qeveria shqiptare) fishekët. AEY është një kompani fantazmë e specializuar për punë të pista (ajo ka vetëm tetë punëtorë dhe nuk ka as faqe prezantimi në internet).
    AEY, për një përqindje të vogël nga fitimi, do të bënte pjesën më të pistë të aferës, paketimin dhe ripaketimin e fishekëve, për të humbur gjurmët e datës së saktë të prodhimit. Dhe këtu del në skenë si Deus ex machina Kosta Trebicka, i nënkontraktuar nga Diveroli i AEY për ta bërë këtë punë. Kosta Trebicka në njoftimet që ka dhënë thotë se paketimi dhe ripaketimi i municioneve u bë për lehtësi trasporti, duke i hequr nga arkat ekzistuese dhe ripaketuar në kuti kartoni, për të ulur peshën. Kosta Trebicka me këto fjalë mund të gënjejë ato femrat e bordellit të tij që i përmend Diveroli në bisedat e përgjuara, por jo ata që i njohin këto punë. Në të gjithë botën, pa dallim, municionet paketohen ne leter pastaj ne kuti teneqeje hermetike te quajtura TIN (si konservat e peshkut te dikurshme) dhe pastaj 2 TIN futen ne nje arke druri te quajtur crate.
    Çpaketimi dhe ripaketimi bëhej për të mashtruar në lidhje me datën e prodhimit të municionit. Kështu Kosta Trebicka dhe më pas Delijorgji, kur u përzie në këtë aferë, si dhe “Edvin ltd” e futur si pykë nga Mediu për të ndërmjetësuar shitjen mes MEICO dhe AEY, i nxirrnin fishekët nga kutia e llamarines origjinale, me mbishkrime ruse dhe kineze, ku tregohej dhe viti i prodhimit prodhimi (nr partie) i saktë, më shumë se para 20 vjetesh, dhe i ripaketonin ne kuti llamarine me shkrime shqiptare dhe vite prodhimi të falsifikuara sikur ishin prodhuar në 1988 e tutje. Kështu, Pentagoni paguante për municion të prodhimit shqiptar, të prodhuar e shumta para 20 vjetësh, dhe në realitet merrte municion rus ose kinez, prodhim jo më herët se viti 1960 (ai rus) dhe jo më herët se viti 1975, kur u ndërprenë furnizimet ushtarake kineze, ai kinez.
    Në këtë rast, si kompania BETA, që fitoi tenderin në Pentagon, ashtu dhe AEY e nënkontraktuar prej saj, si dhe Kosta Trebicka, i nënkontraktuar prej AEY, ishin të vetëdijshëm se po bënin një falsifikim. Gjithashtu falsifikim po bënte dhe qeveria shqiptare, me anë të MEICO, duke iu shitur amerikanëve municion me datë prodhimi të falsifikuar. Vetëm me faktin që BETA dhe AEY ishin të vetëdijshëm për kohën reale të prodhimit të municionit, mund të shpjegohet që ato ia kërkonin MEICO me jo më tepër se 22 USD për 1000 fishekë. Ndërsa insistimi i MEICO, pra edhe i Mediut dhe Berishës për çmimin prej 40 USD për 1000 fishekë, të shitur tek AEY (BETA) me anë të Edvin LTD, ose edhe të Delijorgjit, justifikohej me atë se ata e dinin që AEY-BETA, do t’ ia shisnin Pentagonit municionin e blerë në Shqipëri, me një çmim 80-120 USD, pra edhe me çmimin që u kërkonte qeveria shqiptare, duke futur si pykë “Edvin ltd” do të fitonte 2-3 fish, ndërsa me çmimin që ua kërkonte (22 USD), do të fitonte 4-6 fishin. Kështu që MEICO, që në këtë rast bënte rolin e ekspedientit abuziv për llogari të Mediut dhe Berishës, i thoshte AEY-BETA: “torta” është tepër e madhe dhe ne nuk pranojmë një copë kaq të vogël.
    Si nuk e kuptoi për asnjë moment gazetari i “New York Times” se AEY u nënkontraktua për të bërë të njëjtën punë si “Edvin LTD”, por në linjën tjetër. Për të zbuluar këtë gjë, gazetari i “New York Times”, mjaft të investigonte se pasi AEY të blinte nga MEICO me 22 USD për 1000 copë fishekë, sa do ta rriste çmimin kur t’ ia kalonte kompanisë BETA? Sepse, sado paradoksale që të duket, një nga arsyet për të cilat kompania BETA e nënkontraktoi kompaninë AEY që të kryente tregtinë me MEICO, ishte që AEY t’ ia kalonte kompanisë BETA sasinë e blerë me një çmim të rritur, shumë mbi 40 USD për 1000 fishekë.
    Diferencën që do të fitonte AEY nuk do ta mbante pronari i saj Efraim Diveroli, por ai, pasi të mbante një përqindje fare të vogël për vete, si komisioner, ashtu siç do të bënte dhe Henri Tomei i “Edvin Ltd”, në anën tjetër, do t’ ia kalonte kompanisë BETA por në llogari të tjera, në banka të ngritura në vende që janë parajsa të spekulantëve. Këto para do t’ i merrnin ata njerëz në Pentagon që i dhanë kontratën fitimprurëse prej 300 milion USD kompanisë BETA, për të furnizuar me municione forcat e sigurisë afgane, si dhe njerëz të tjerë të kompanisë BETA. Tek ky përfundim logjik të çon fakti që “BETA” ka nënkontraktuar AEY vetëm për të hedhur dy firma, një në kontratën me MEICO, dhe një në atë me “JOY” të Kosta Trebickës! Këtë gjë e kuptoj unë një gazetar në Shqipërinë e humbur dhe nuk na e kuptuan gazetarët e “New York Times”!
    Si është e mundur që ky gazetari i “New York Times” që erdhi në Tiranë, nuk investigoi pak se kush ishte ky Kosta Trebicka, deklaratat e të cilit po i përdorte në shkrimin ku ishte bashkautor? Kosta Trebicka është një njeri shumë interesant se ai ka qenë drejtor i Anglo-Adriatica, një nga kompanitë që operonte njëlloj si firmat piramidale deri në vitin 1997, dhe që ishte në fakt një kompani grekësh, që është një nga ato që grabiti shqiptarët.
Sipas atyre që thonë Kosta Trebicka dhe Efraim Diveroli në bisedat e përgjuara të tyre, të cilave u referohet “New York Times”del qartë se Kosta Trebicka është pronari i një bordelli të kamufluar. Këtu duhet të kishte investiguar gazetari i “New York Times”. Nënkontraktori shqiptar i një kompanie amerikane të kontraktuar nga Pentagoni, njeriu që praktikisht do të bënte gjithë punën në Shqipëri, ishte në fakt një pronar bordelli! Këtij pronari bordelli iu dha e drejta që si nënkontraktor të menaxhonte municionet, duke i nxjerrë nga arkat dhe duke i ripaketuar në... aeroportin e Rinasit, aeroportin e vetëm civil ndërkombëtar të Shqipërisë. Sigurisht që kjo u bë në pjesën e aeroportit që është në dispozicion të ushtrisë, por nëse do të ndodhte një incident, pasojat do të qenë katastrofale për gjithë aeroportin, duke konsideruar dhe çisternat e furnizimit të avionëve që gjenden vazhdimisht atje! Ky ishte profesionalizmi i kompanisë të kontraktuar nga Pentagoni, që një pronar bordelli të menaxhonte municionet në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë! Në fakt gazetarin e “New York Times” e solli në Shqipëri Kosta Trebicka, njeriu shumë i dyshimtë që u bë nënkontraktor i AEY, që ishte vetë nënkontraktore.
    Gazetari amerikan i ardhur në Tiranë, duhet të investigonte dhe në atë pistë që hapet kur Trebicka thotë se është njeriu i CIA, kjo ngre një tjetër pikëpyetje për CIA-n për ngjarjet e vitit 1997, kur atëherë në CIA ishte nr. 2 greko-amerikani George Tenet. Pse gazetari amerikan i citon deklaratat e Trebickës në mënyrë përzgjedhëse, duke mos përmendur atë që ka deklaruar Trebicka se ka qenë një punonjës i NATO në Tiranë me emrin Aleks, që mbronte interesat e AEY në Shqipëri dhe komandonte Efraim Diveroli-n? A nuk do të çojë kjo në gjurmët e “Oliver North” në Ëashington? Si nuk pyeti gazetari amerikan se ç’ është ky punonjës i NATO në Tiranë me emrin Aleks që bën dhe përfaqësuesin e një kompanie private komisioneve, aq më tepër si ajo e Diveroli? I bie që ky Aleksi të jetë një nga tetë punëtorët e Diveroli. Sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave të vendeve të NATO, ky Aleksi po vepron në shpërdorim të detyrës. Pse nuk thuhet asgjë në artikullin e gjatë të “New York Times” për këtë gjë? Duket se edhe atij gazetarit amerikan ia ka marrë mendjen Kosta Trebicka me kurvat e tij, ashtu siç del nga përgjimet se bëhej me njerëzit që ishin të përzier në këtë aferë. Gazetari i “New York Times” i ardhur në Shqipëri dhe gazeta e tij me emër, dha një shembull të investigimit selektiv me anësi, duke përgënjeshtruar emrin e madh të kësaj gazete.