PJESA E TRETË - VETËSAKRIFIKIMI SI SHËRBIMI SUPREM I AGJENTIT




1.
Loja e parë e madhe ndërkombëtare: midis Titos dhe Stalinit

      Takimi i Stalinit me Edvard Kardelj, ideologun e udhëheqjes komuniste jugosllave, në Moskë, në 19 prill 1947, përbën pikën e vërtetë të kthesës në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave, sa i përket Shqipërisë. Kardelj u befasua edhe më tepër Titos një vit më parë, kur Stalini shprehu hapur një tjetër lloj interesimi për Shqipërinë, atë të arbitrit mes shqiptarëve dhe jugosllavëve. Mes Stalinit dhe Kardelit u zhvillua ky dialog:
       Stalini: Poju si i keni punët me shqiptarët? Hoxha sikur është ankuar për këshilltarët tuaj politikë në ushtrinë e tyre, sikur ata dobësojnë disiplinën, apo jo?
      E. Kardeli: Kjo është një gjë e re për ne. Ata nuk na kanë thënë asgjë për këtë.[i]      Jugosllavët e dinin që prej takimit të Titos me Stalinin vitin e kaluar se kishte një prirje në rrethin e njerëzve afër Enver Hoxhës dhe Spirut, për të gjetur mbështetje tek Bashkimi Sovjetik, si kundërpeshë që jugosllavët qenë duke mbështetur Xoxen. Sovjetikët qenë dukur të vëmendshëm, por mjaft diskretë për të fshehur ndërhyrjen e tyre në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Tashmë kur kishte filluar një krisje në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave, për shkak të kërkesave të mëdha të Jugosllavisë për ndihmë ekonomike sovjetike, dhe pakënaqësisë jugosllave se Bashkimi Sovjetik nuk po mbështeste rivendikimet territoriale jugosllave ndaj fqinjëve, Moska befas dha shenja të përdorimit hapur të kartës shqiptare në lojën me Beogradin. Milovan Gjilas shkruan në librin e vet «Biseda me Stalinin»:
       Përfaqësuesit sovjetikë po shprehnin çdo ditë e më tepër pakënaqësi për masat jugosllave në Shqipëri. Povërehej gjithashtu që me misionin sovjetik po afrohej gjithnjë e më tepër grupi i Enver Hoxhës. Herë pas here nxirrnin kokën vërejtje e qortime të përfaqësuesve sovjetikë ndaj Shqipërisë: pse jugosllavët organizojnë me shqiptarët shoqëri të përbashkëta në qoftë se vetë nuk dëshirojnë t’ i krijojnë ato me BS? Pse dërgohen instruktorë në ushtrinë shqiptare, kur në ushtrinë e tyre ata kanë sovjetikë; si dërgojnë ata specialistë për zhvillimin e Shqipërisë, në qoftë se atyre vetë u nevojiten aq shumë? Si dashka kjo Jugosllavi, vendi më i varfër e më i prapambetur në Ballkan, të ndihmoka Shqipërinë.[ii]
      Por fjalët e Stalinit në bisedën me Kardelin në prill 1947, qenë sigurisht diçka shumë përtej këtyre. Stalini, i cili vitin e kaluar kishte dashur t’ u jepte të kuptonin jugosllavëve se rruga për në Tiranë kalonte nga Moska, ku merrej si të thuash mandati për Shqipërinë, dhe ku shqiptarët mund të drejtoheshin për arbitrim në marrëdhëniet e tyre me jugosllavët, tash po vepronte në këtë sens. Reagimi në Beograd ishte që të inicohej goditja e lobit prosovjetik në Tiranë. Udhëheqësit jugosllavë e kishin të qartë se një goditje ndaj lobit prosovjetik në Tiranë mund të kishte sens vetëm nëse, në analizë të fundit, do të dilte se lobi prosovjetik në Tiranë ishte një agjenturë e imperialistëve perëndimorë, që synonte të prishte marrëdhëniet mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë.
      Në këtë pikë interesat e jugosllavëve pajtoheshin plotësisht me ato të Xoxes, i cili shikonte tek lobi prosovjetik armiqtë e tij më të mëdhenj. Xoxe, në të gjitha veprimet që bënte kundër Hoxhës dhe Spirut kishte ndërmend një gjyq-spektakël të ngjashëm me gjyqet e Moskës të vitit 1937, ku Hoxha, Spiru dhe bashkëpunëtorët e tyre, do të dënoheshin si spiunë të fashizmit dhe imperializmit, si antijugosllavë dhe antisovjetikë, si njerëz të degjeneruar që kishin uzurpuar partinë e punëtorëve. Sipas traditës orale, Xoxe thoshte se ky do të ishte një gjyq ku Hoxha dhe Spiru do të dilnin me gjithë hankot dhe dylberët (aluzion për Hoxhën).
      Si shënjestra e parë e jugosllavëve për goditjen ndaj lobit prosovjetik në Tiranë u zgjodh Shehu, shefi i Shtatmadhorisë, i cili shihej si njeriu, i cili me inkurajimin e Hoxhës ishte në origjinë të ankesave që kishte përmendur Stalini. Xoxe, nga ana e tij, ishte alarmuar seriozisht nga fakti që, Shehu, njeriu i Hoxhës dhe Spirut, po e shndërronte ushtrinë në një bazë fuqie personale për dy kundërshtarët e mëdhenj të Xoxes. Shehu energjik dhe me autoritet e kishte shndërruar ushtrinë në gardën pretoriane të Hoxhës dhe Spirut, çka Xoxe e shikonte si shumë të rrezikshme për ambicjet e tij. Katër ditë pas bisedës së Stalinit me Kardeljin, në 23 prill 1947 Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë dhe shef i Seksionit të Agjitpropit të kësaj drejtorie, nënkolonel Pëllumb Dishnica, njeriu i Xoxes, me origjinë nga baza personale e fuqisë të këtij, Korça, shkoi tek Hoxha, dhe spiunoi shefin e Shtatmadhorisë (Shtabit të Përgjithshëm) të Ushtrisë, Shehu, se ky i kishte shprehur pikëpamje antijugosllave në një bisedë që kishin pasur ata të dy po atë ditë. Hoxha, duke dashur të zbulonte se kush qëndronte pas Pëllumb Dishnicës, vetëm Xoxe, apo edhe jugosllavët, i kërkoi një relacion me shkrim për këtë çështje. Në rast se Pëllumb Dishnica nuk ishte i shtyrë nga jugosllavët, ai nuk do ta bënte relacionin me shkrim. Por Pëllumb Dishnica jo vetëm që e përpiloi informacionin e vet me shkrim, dhe ia dërgoi Hoxhës në 25 prill 1947, por e komentoi kërkesën e Hoxhës në një mënyrë malinje:
       Shoku Komandant
Vetë fakti që ju më kërkuat një relacion me shkrim mbi këtë çështje, më bën të kuptoj më mirë se kjo është një çështje me rëndësi.[iii]
      Ky koment nuk ishte nga mendja e Pëllumb Dishnicës, por nga ata që qëndronin pas tij, domethënë nga jugosllavët. Pëllumb Dishnica, në relacionin e vet, sjell bisedën e vet me Shehun, ku Dishnica, pas një uverture të gjatë për çështjet ushtarake, i paraqet Shehut këtë konkluzion:
       Në përfundim del çështja që ne në zhvillimin e ushtrisë sonë duhet të kemi parasysh që të shkojmë paralel, në të njëjtën rrugë, ku shkon Ushtria Jugosllave dhe se zhvillimi i ushtrisë sonë nuk mund të shtrohet i ndarë nga zhvillimi i Ushtrisë Jugosllave.[iv]
      Në fakt kjo ishte në pajtim me atë që ishte vendosur në takimin e Hoxhës me Titon në Beograd, çka e tha drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, Kristo Themelko në Plenumin VIII, në 1948:
       Ne e kemi të qartë nga ana ushtarake se ku do të shkojmë. Kur ka shkuar Komandanti në Beograd, ka biseduar me Mareshalin dhe është caktuar orientimi për unifikimin e ushtrive tona. Ne nga ana e Drejtorisë i jemi futur kësaj pune.[v]
      Hoxha atëherë nuk e kundërshtoi Themelkon. Sigurisht që Shehu që ishte Shef i Shtatmadhorisë i dinte këtë gjëra dhe nuk mbeti që t’ ia mësonte Pëllumb Dishnica. Por duket se Dishnica është instruktuar që të bëjë një bisedë provokative me Shehun, në mënyrë që pastaj ta përdorte atë, ashtu siç e përdori. Kjo del kur Pëllumb Dishnica, në relacionin e vet paraqet çështjet që ka shtruar në bisedën me Shehun: 
       Prandaj unë shfaqa mendimin se, në bazë të atyre që thashë më sipër, edhe Shtatmadhoria, më duket e arsyeshme që të ketë lidhje më të ngushta me Shtatmadhorinë e Ushtrisë Jugosllave, ashtu si ka Drejtoria Politike. Me fjalë të tjera, si për organizimin, programet e çdo gjë tjetër të bazohet kryesisht në ato të Ushtrisë Jugosllave dhe t’ i adoptojë, pa u larguar për asnjë çast nga eksperienca e Ushtrisë Sovjetike dhe, me ndihmën e instruktorëve sovjetikë, simbas konditave tona, në mënyrë që të krijojmë forma të njëjta, ashtu si i kemi në organizimin e Partisë dhe të punës politike dhe në organizimin ushtarak dhe në programet e stërvitjes.
Në këto pika përmblidhej kryesisht mendimi im dhe e pyeta gjeneral Mehmetin se ç’ mendonte, nëse i dukej drejt ose jo.[vi]
      Sipas Pëllumb Dishnicës, reagimi i Shehut ishte i tillë:
       Ai tha se kjo ishte një çështje me shumë rëndësi, porse këtu paraqiteshin dy orientime: ose të veprohej kështu si ishte vepruar dhe ai ishte i atij mendimi ose të veprohej ashtu si mendoja unë, porse kjo desh të thoshte që të shndrroheshin menjëherë në një armatë të Ushtrisë Jugosllave, të merrnim e të kopjonim urdhrat që do të na dërgonte Koça Popoviçi, t’ i vinim një kryq Komandantit të Përgjithshëm dhe t’ i përzinim instruktorët sovjetikë. Simbas gjen. Mehmetit, kjo ishte një çështje që duhej prerë mirë, sepse në qoftë se veprohej në njërën mënyrë ose në tjetrën dhe ajo ishte gabim, mund të ketë konsekuenca katastrofale.[vii]
      Shehu kishte reputacionin e një njeriu që ishte më tepër prosovjetik se projugosllav, por Shehu nuk ishte aspak antijugosllav. Në plenumin e  jashtëzakonshëm të Komitetit Qendror, të mbajtur në dhjetor 1946 me rend dite: «Rëndësia politike dhe ekonomike e Konventës në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë», Shehu kishte thënë:
       Mbrëmë shoku Komandant theksoi fare mirë rëndësinë historike të paktit ekonomik dhe shoku Nako në raportin informative sqaroi bile në detaje.[viii]
      Por, për jugosllavët, në Shqipëri, projugosllavizmi i shoqëruar me prosovjetizëm shihej si mosbesim ndaj Jugosllavisë. Aluzioni në akuzat që bënte Pëllumb Dishnica ishte se Shehu ishte vetëm përçues i frymës së mësipërme në ushtri, dhe se kjo frymë e kishte origjinën tek eprori direkt i Shehut, Komandanti i Përgjithshëm, Hoxha. Relacioni i Pëllumb Dishnicës nuk pati efekt imediat, por shpejt do të bëhej e qartë se ai ishte pjesë e një procesi, që e kishte origjinën në Beograd.
      Në qershor 1947 nga Beogradi do të vinte një akuzë zyrtare në adresë të krahut prosovjetik të udhëheqjes shqiptare. Akuza i adresohej Spirut, por dukej qartë se përfshinte edhe Hoxhën. Akuza e qershorit ishte reagim ndaj vizitës së Spirut në Bashkimin Sovjetik, në maj të atij viti. Jugosllavët mendonin se Spiru kishte bërë ankesa ndaj tyre në Moskë, edhe në emër të Hoxhës. Prandaj jugosllavët vendosën që të kalojnë nga ngacmimi në goditjen ndaj krahut prosovjetik në udhëheqjen shqiptare, duke e filluar goditjen me Spirun, ashtu që t’ u thoshin sovjetikëve se mbështetësit e tyre në Shqipërinë qenë antijugosllavë. Sipas skenarit jugosllav goditja do të fillonte duke ngritur një akuzë mbi faktin se konventa ekonomike mes dy vendeve, ende nuk ishte zbatuar në pika të saj të rëndësishme, siç ishte barazimi i monedhës dhe i çmimeve, gjë të cilën në fakt kishin hezituar ta bënin seriozisht vetë jugosllavët. Por udhëheqësit në Beograd kishin dalë nga shkolla staliniane, një nga mësimet e së cilës është se nesër atë gjë që ke bërë vetë mund t’ ia atribuosh tjetrit si faj, kur kërkon shkak për ta goditur atë. Në mënyrë domethënëse, i dërguari jugosllav Zllatiç, ia paraqiti fillimisht ankesën Xoxes dhe jo Hoxhës. Ky i fundit shkruan në kujtimet:
       Aty nga mesi i qershorit më vjen Koçi Xoxe e më thotë:
      -Shokët jugosllavë janë të pakënaqur nga ne.[ix]
      Se përse bëhet fjalë kjo zbulohet nga fjalët që Hoxha i thotë të dërguarit jugosllav Savo Zllatiç, të dërguarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në 4 korrik 1947, ku i thotë:
       Kur e shtruat për herë të parë çështjen e çmimeve me shokun Koçi aty nga data 15 qershor, kujtova se ishte një vërejtje e thjeshtë, për një problem që natyrisht ka një rëndësi të veçantë. Për çështjen e çmimeve ne ishim në korrent që po punohej dhe që ishte arritur në një zgjodhje dhe kjo gati ishte e përfunduar. U interesova që atë ditë dhe m’ u tha se çmimet ishin gati për t’ u shpallur, vetëm se pengonin disa çështje në lidhje me jugosllavët për sa u përket «çmimeve të përbashkëta», tatimi mbi xhiron, etj. Që në këtë kohë ishin dhënë sqarimet dhe udhëzimet poshtë në lidhje me këtë gjë dhe çmimet do të aplikoheshin që në fillim të korrikut. Natyrisht në këtë kohë po përgatiteshin dhe një seri urdhëresash që lypnin një kohë për t’ u bërë.[x]
      Nga fjalët që i thotë Hoxha të dërguarit jugosllav duket qartë se Hoxha, si një vasal servil, po i jepte shpjegim se përse nuk kishte shkuar të takohej me të, pasi ky kishte folur me Xoxen. Sigurisht që Zllatiç kishte pritur që pas fjalëve që ai i kishte thënë Xoxes, Hoxha të kërkonte takim me të. Gjithashtu, nga fjalët e mësipërme të Hoxhës del qartë se ai kërkon ta bindë bashkëfolësin se ai ishte i prirur që të bëjë gjithçka për të kënaqur jugosllavët. Por në ndërkohë jugosllavët vazhduan ta rrisin presionin. Pas bisedës me Xoxen, Zllatiç merr takim me Spirun dhe ia shpreh ankesën apo akuzën në mënyrë më të hollësishme. Hoxha shkruan në kujtimet për këtë:
       Dy apo tri ditë pas kësaj më vjen Nakoja e më thotë:
      -Shoku Zllatiç më tha se në Shqipëri po kristalizohet një vijë e dytë në Parti!
      -Si, si?- i mbërtheva sytë i habitur.
      -Sipas Zllatiçit, -më tha Nakoja qetë- qetë e me njëfarë ironie,- te ne ka dy vija ekonomike: vija e Komitetit Qendror që është e drejtë në parim e, krahas kësaj, konkretizimi i një vije të dytë në praktikë, në kundërshtim me atë të Komitetit Qendror!
-E çuditshme!- i thashë.- Po ku e mbështeti?
-Nuk dha ndonjë argument.[xi]
      Derisa thuhej se vija e Komitetit Qendror ishte e drejtë, atëherë aludohej se se kjo vijë e dytë ekzistonte në qeveri, pra se vinte nga Hoxha dhe Spiru. Hoxha, kur u takua me të dërguarin jugosllav në 4 korrik dhe bisedoi për këtë çështje, përsëri do të ndihej i detyruar që t’ i jepte shpjegim edhe pse nuk kishte shkuar të takohej me të pasi ky kishte folur me Spirun:
       Kur çështjen ia shtruat për herë të parë shokut Nako, kuptova se kjo çështje shtrohej në mënyrë më serioze, nga kjo anë, pse s’ ishte vetëm një vërejtje e thjeshtë, por ishte një kritikë zbatimit të vijës ekonomike të Komitetit Central. Nakoja më raportoi se ju i kishit thënë që në realitet tek ne ka dy vija ekonomike: vija e Komitetit Central, që është e drejtë në parim dhe konkretizimi i një vije të dytë në praktikë, në kundërshtim me atë të Komitetit Central. Ilustrimi i kësaj pikëpamjeje nga ana juaj nuk më ishte i mjaftueshëm, bile mjaft semplist, që nuk më ndihmonte të gjykoja qartësisht fondamentin e kritikës, për të mundur që ta studioja këtë çështje dhe ta shtroja në Komitetin Central për diskutim. Për këtë arsye i kërkova shokut Nako ta bënte një pjekje të dytë me ju dhe të sqarohej më mirë mbi këtë çështje të rëndësishme.[xii]
      Hoxha në këtë rast sillet njëlloj siç ishte sjellë në rastin e Mukjes ose të Konferencës së Paqes në Paris, ai nuk merr vetë takim me të dërguarin jugosllav, Savo Zllatiç, i cili kishte kumtuar ankesën, por vetë rri në hije, duke pritur që të sqarohen gjërat. Hoxha shkruan:
       vendosa që të vazhdonim bisedimet me Zllatiçin, veçse tash, bashkë me Nakon, dërgova edhe Koçi Xoxen, që dukej açik se gëzonte simpatinë e miqve jugosllavë. Aty nga data 20 ose 21 qershor këta biseduan me Zllatiçin dhe më raportuan, bile më sollën edhe një letër dyfaqëshe, ku Zllatiçi paraqiste «argumentet» jugosllave mbi akuzën që na bënin.[xiii]
      Argumentet shtesë jugosllave qenë se kishte ngadalësim nga pala shqiptare në përmbushjen e detyrimeve ekonomike ndaj Jugosllavisë, si dhe kishte prirje nga pala shqiptare që për këtë gjë të fajësoheshin jugosllavët, sikur pritej ardhja e materialeve dhe teknikëve që duhet të vinin nga Jugosllavia. Pra, tek ankesa jugosllave ishte bërthama e një akuze për antijugosllavizëm. Hoxha i thotë Zllatiçit në 4 korrik:
       Pas bisedimit të dytë me shokun Koçi dhe me shokun Nako, aherë çështja më ishte më e qartë, pse u precizua më mirë mbështetja juaj... Në fakt nga rrjedhimi i bisedimeve tuaja me shokët që thashë më lart, kuptohet se konkretizimi i një vije të dytë në ekonomi mbështetet, pse dalja e pagesave dhe e çmimeve është vonuar një muaj, domethënë se dalja e tyre ishte vendosur në fund të majit dhe ato dalin në korrik dhe se për daljen e tyre në këtë datë s’ ka pasë asnjë pengesë objektive, sipas mendimit tuaj.[xiv]
      Më në fund Hoxha merr takim me të dërguarin jugosllav:
       Në ditët e para të korrikut thirra Zllatiçin dhe pata një bisedë të gjatë e therrëse me të, që, me sa mbaj mend, e vazhduam pa ndërprerje për dy ditë.[xv]
      Nga ato që Hoxha ka thënë më lart në bisedën me Zllatiçin, nuk duket që biseda të ketë qenë therrëse, së paku jo sa u përket fjalëve të Hoxhës. Hoxha ka qëllim vetëm që të shfajësohet para Zllatiçit. Ai i thotë atij:
       Këtu nuk jemi dakord domethënë, pikëpamja jonë është se nga kjo vonesë nuk mund të deduizojmë se këtu ka shtrembërim vije ose një vijë te dytë.[xvi]
      Por Zllatiç u qëndroi pikëpamjeve të paraqitura, duke shkuar më tej dhe përmendur emrin e Spirut si përgjegjës për të ashtuquajturën «vijë të dytë». Kjo do të thoshte se tërthorazi akuzohej vetë Hoxha. Që akuza jugosllave ishte vetëm një pretekst kjo u kuptua nga fakti nga fakti se, edhe pse dukej qartë se Hoxha ishte gati të pranonte çdo kërkesë të jugosllavëve, qenë këta të fundit të cilët hoqën dorë nga barazimi i monedhës, dhe pranuan një kurs zyrtar shkëmbimi prej 1 lek baras me 9 dinarë. Në lidhje me këtë, ministri i Tregtisë, Gogo Nushi do të thoshte në raportin «Mbi pllanin ekonomik të shtetit»në Kongresin I të PKSH:
       Gjer n’ atë kohë kursi i frangut me dinarin ka qenë i caktuar 1 frang baraz me 12.5 dinarë. Ne ishim të mendimit që me këtë kurs të bëhej shkëmbimi, po jugosllavët e quanin të lartë këtë kurs dhe pa patur asnjë studim thoshnin se vlefta e frangut është shumë më e ulët se kaqë në krahasim me dinarin…Më në funt me insistimin tonë dhe me kundërshtimet e jugosllavëve u arrit në një kurs kompromisi: një frang 9 dinarë dhe kështu përfundoi çështja e kursit në dëmin tonë.[xvii]
      Kur frangu u zëvendësua me lekun në korrik 1947, kursi do të ishte: 1 lek baras me 9 dinarë. Që leku të ishte më i fortë se dinari në vitin 1947, pas goditjeve që i kishte dhënë ekonomisë regjimi i Hoxhës, kjo është një gjë krejt e pabesueshme. Më e besueshme duket që ky kurs shkëmbimi ka qenë koncension i jugosllavëve, të cilët e dinin se nuk do të kishin ndonjë humbje të madhe prej tij, se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve do të qenë të kufizuara. Synimi kryesor i jugosllavëve nuk ishte aq, të përfitonin ekonomikisht nga Shqipëria, se sa të përfitonin krejt Shqipërinë, sipas agjendës së tyre aneksuese. Prandaj jugosllavët u tërhoqën edhe nga një pikë tjetër e konventës ekonomike që ishte barazia e çmimeve. Në lidhje me këtë, ministri i Tregtisë, Gogo Nushi do të thoshte në raportin «Mbi pllanin ekonomik të shtetit» në Kongresin I të PKSH:
       Më në funt udhëheqja trockiste jugosllave nxori formulën e strukturës unike të çmimevet dhe jo çmime unike.[xviii]
      Për akuzën që bënë jugosllavët në adresë të tij dhe të Spirut, Hoxha sigurisht që informoi ministrin sovjetik në Tiranë, çka tashmë e kishte bërë praktikë. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja që Hoxha, në fillim të korrikut u ftua befasisht për një vizitë në Moskë. Për kohën e saktë se kur iu bë ftesa për të vizituar Bashkimin Sovjetik, Hoxha jep si pikë reference takimin me të dërguarin jugosllav Zllatiç:
       Dy- tri ditë pasi përfundova takimin me të, na erdhi një lajm nga më të gëzuarit: Një delegacion qeveritar i RP të Shqipërisë, i kryesuar nga unë, pritej në Moskë. Nisja do të bëhej rreth datës 12- 13 korrik 1947.[xix]
      Për këtë takim me të dërguarin jugosllav Hoxha jep të dhëna të sakta, kur shkruan:
       Në ditët e para të korrikut thirra Zllatiçin dhe pata një bisedë të gjatë e therrëse me të, që, me sa mbaj mend, e vazhduam pa ndërprerje për dy ditë.[xx]
      Në libër është shënimi:
      Kjo bisedë është zhvilluar më 4 e më 6 korrik 1947.[xxi]
      Derisa bisedimet Hoxha-Zllatiç përfunduan në 6 korrik, atëherë del se ftesa nga Moska ka ardhur në 8 ose 9 korrik. Hoxha në fakt u nis në Moskë në 14 korrik. Një vizitë zyrtare e një kryeministri nuk organizohet për 5-6 ditë, përveç rasteve të jashtëzakonshme. Dhe ky ishte një rast i jashtëzakonshëm. Në Moskë kishin dyshim për atë se çfarë përmbante në vazhdim skenari jugosllav, që kishte nisur të zbatohej me akuzën për dy vijat. Duke qenë se Tito kishte bërë shkollën staliniane të spastrimeve politike në Bashkimin Sovjetik, në Moskë dyshonin se, jugosllavët, me anë të Xoxes, do të arrestonin befasisht Spirun, me ç’ rast do të përgatisnin dhe eliminimin e Hoxhës, ndoshta duke e arrestuar më vonë, a ndoshta duke inskenuar vetëvrasjen e tij, kinse u tremb pas arrestimit të Spirut se mos ky e zbulonte. Ftesa e Hoxhës në Moskë ishte një sinjal për Beogradin që të hiqte dorë nga një spastrim në Tiranë, për momentin. Ftesa e Hoxhës në Moskë ishte gjithashtu një përgjigje për ambicjet e shprehura të Titos, për të cilat Moska mbante shënim, siç del nga një njoftim i mëvonshëm, i 18 marsit 1948, që Drejtoria e Jashtme e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i çon sekretarit të KQ të PKBS, Mihail Suslov:
       Në pikësynimin e vet për të mbivlerësuar rëndësinë dhe rolin e Jugosllavisë në kampin demokratik dhe për të zhvlerësuar rolin e Bashkimit Sovjetik, Titoja, në një bisedë me disa gazetarë bullgarë, të zhvilluar në qershorin e vitit 1947, ka deklaruar se «Ballkani, krahas Bashkimit Sovjetik, duhet të jetë fener që ndriçon rrugën e zgjidhjes së drejtë të çështjes nacionale dhe sociale».[xxii]
      Për Stalinin, marrëdhëniet me shefat e regjimeve komuniste të krijuara në disa vende të Europës e të Azisë pas Luftës së Dytë Botërore, ishin një eksperiencë e re. Stalini prirej që të projektonte në marrëdhëniet me këta partnerë modelin e marrëdhënieve të tij me udhëheqësit e republikave sovjetike. Me udhëheqësit e vendeve ku regjimet komuniste ishin vendosur dhe mbaheshin nga ushtria sovjetike, që kishte dislokuar forca në këto vende, kjo mënyrë sjelljeje funksiononte. Por me të tjerë, si Tito dhe më pas Mao Ce Dun, të cilët kishin një bazë të brendshme pushteti, kishin ambicje, dhe nuk kërcënoheshin nga prania e ushtrisë sovjetike në vendet e tyre, kjo mënyrë sjelljeje nuk mund të funksiononte. Prandaj Stalini me ta kombinoi joshjen me presionin. Për Stalinin Hoxha kishte vlerë thjesht si ekspedient në këtë lloj loje me Titon.
      Vizita e Hoxhës në Moskë do të paraprihej në mënyrë simbolike nga refuzimi i Planit Marshall prej regjimit të tij. Në fillim të korrikut 1947 Shqipërisë, ashtu si dhe vendeve të tjera europiane, i erdhi ftesa për të marrë pjesë në konferencën që do të fillonte në Paris në 12 korrik të atij viti, ku vendet pjesëmarrëse do të paraqisnin kërkesat e tyre konkrete për ofertën amerikane për ndihmë ekonomike. Në fillim regjimi mori vendim që të merrte pjesë në konferencë, ose më saktë do të bënte si Jugosllavia. Në 5 korrik 1947, Moska, me anë të ministrit të Punëve të Jashtme, Molotov, u çoi udhëzim vendeve të ashtuquajtura të demokracive popullore, që të marrin pjesë në Konferencën e Parisit dhe të kundërshtojnë projektin amerikan.[xxiii]Në këtë linjë, Hoxha, në 7 korrik 1947, tha në mbledhjen e Byrosë Politike, në lidhje me konferencën që do të mbahej në Paris:
       Ne na kanë ftuar. Mendoj se duhet të shkojë një delegacion që duhet të mbrojë tezën që ka paraqitur Bashkimi Sovjetik. Unë mendoj, meqënëse ka shumë rëndësi, të shkojë Nakua dhe të marrë me vete edhe dy të tjerë. Çështja nuk është vetëm për të thënë fjalën tonë, por edhe për të biseduar edhe me ata të tjerët se mund të ketë delegatë që lëkunden. Mendoj që ta mbajmë të fshehur deri më datën 9 korrik që do të mblidhet qeveria dhe më datën 10 të lajmërojmë Francën.[xxiv]
      Por në orët e vona të datës 7 korrik, nga Moska erdhi një kumt tjetër për vendet e demokracive popullore që anulonte direktivën e parë dhe kërkonte që të refuzonin ftesën për të shkuar në Konferencën e Parisit, për shkak se vendet perëndimore kishin përfshirë dhe Gjermaninë (pjesën e kontrolluar prej tyre) në projektin e ndihmës.[xxv]Kështu që në 8 korrik, në Tiranë, Hoxha mbledh përsëri Byronë Politike dhe si një komedian i vërtetë u thotë se do të refuzojnë ftesën për të marrë pjesë në Konferencën e Parisit.[xxvi]Në 12 korrik 1947, ditën e hapjes së konferencës në Paris, Hoxha mbajti një fjalim në Kuvendin Popullor, ku tha:
       Qeveria jonë para disa ditëve mori një ftesë zyrtare nga qeveria franceze dhe angleze me të cilën ne ftoheshim për të marrë pjesë në një konferencë që organizojnë këto në lidhje me Planin Marshall. Qeveria jonë, pas një studimi që i bëri kësaj çështjeje, vendosi unanimisht ta refuzojë ftesën e qeverive angleze dhe franceze për pjesëmarrjen në këtë konferencë që do të mbahet më 12 korrik, për arsye se, sipas mendimit të qeverisë sonë, nuki ekziston një plan konkret ndihme amerikane për Evropën dhe se vetë plani Marshall është shumë i paprecizuar dhe i errët… Një plan i tillë do të shkaktonte një kaos ekonomik në Evropë dhe duke ndërhyrë në punët e brendshme të shteteve evropiane, duke shkelur vullnetin e sovranitetin e tyre do të vinte ekonominë e këtyre shteteve nën drejtimin e mëshirën e fuqive të mëdha të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara. Ky plan do të ishte shkak për krijimin e një blloku dhe për një përçarje në Evropë… Qeveria shqiptare nuk mund të lejojë dhe të pranojë kurrë që sovraniteti dhe pavarësia e vendit tonë të shkelet. Të gjitha këto arsye e shtrënguan qeverinë të mos ta pranojë ftesën e dërguar prej qeverive franceze dhe angleze.[xxvii]
       Ky spektakël ishte në stilin e Tarasit-Herman, të komedianit të zellshëm. Në një kohë që Shqipëria ishte bërë koloni e Jugosllavisë, siç e pohon vetë Hoxha më vonë, dhe kur pas pak ditësh në Moskë ai do t’ i kërkonte Stalinit që në Shqipëri të ngrihej një bazë ushtarake sovjetike, Hoxha  thoshte të tilla fjalë në adresë të SHBA! Në fjalimin e 12 korrikut Hoxha i ashpërshoi edhe më tepër termat kundër SHBA, duke thënë:
       Imperializmi amerikan në krye të të gjithë reaksionit ndërkombëtar përpiqet të gllabërojë botën dhe të shtypë liritë e popujve, me kërcënime, me bombën atomike, me politikën e forcës dhe të dollarit.[xxviii]
      12 korriku 1947 është një datë fatale për të ardhmen e vendit, kur regjimi u izolua përfundimisht në raport me Perëndimin dhe me arrogancë e sadizëm refuzoi ndihmën e madhe që ofrohej, në një kohë që vendi ishte praktikisht në një krizë humanitare. Në mënyrë domethënëse Hoxha e mori vetë «nderin» për këtë gjë. Ndryshe nga vendet europianolindore- satelite të Bashkimit Sovjetik, ku refuzimi i Planit Marshall u imponua nga Bashkimi Sovjetik i cili kishte forca ushtarake në këto vende, në Shqipëri, ashtu si dhe në Jugosllavi, ku nuk kishte forca ushtarake sovjetike, e gjithë përgjegjësia e refuzimit të planit Marshall u mbetet regjimeve të këtyre vendeve. Regjimi shqiptar madje nuk mundet as të shfajësohet me faktin se e refuzoi Planin Marshall nën influencën e Jugosllavisë se në Shqipëri nuk kishte as forca ushtarake jugosllave.
      Hoxha, shumë vite më pas, do të pranonte në mënyrën e vet se Plani Marshall në fakt kishte qenë i suksesshëm:
       Në përhapjen e ideve oportuniste e revizioniste në partitë komuniste influencoi në një masë të madhe edhe zhvillimi i ekonomisë pas luftës në Perëndim. Evropa Perëndimore vërtet ishte e shkatërruar nga lufta, por rimëkëmbja e saj u bë relativisht shpejt. Kapitalet amerikane që vërshuan në Evropë me Planin «Marshall» bënë të mundur që fabrikat, uzinat, transporti, bujqësia të rindërtoheshin dhe të zgjeronin prodhimin në mënyrë intensive. Ky zhvillim hapi fronte të shumta pune dhe tërhoqi për një periudhë të gjatë jo vetëm forcat e lira punëtore, por krijoi edhe njëfarë urie për krahë pune.[xxix]
      Refuzimi i Planit Marshall ishte vazhdim i hapjes sistematike të hendekut mes Shqipërisë dhe Perëndimit nga ana e regjimit të Hoxhës. Në ndërkohë, në këtë hendek do të rridhte një lumë gjaku nga lufta totale e regjimit kundër popullit. Në 1947 regjimi do të eliminonte dhe ata pak veta të cilët, sa për funksion dekorativ, i kishte bërë deputetë në listën e Frontit Demokratik. Arrestimi dhe dënimi me vdekje i nëntë deputetëve të quajtur agjentë të anglo-amerikanëve, u bë pretekst për një fushatë tjetër terrori. Në akt-akuzën e paraqitur nga Prokurori në gjyqin ndaj Xoxes dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme, u tha:
       Në kohën kur zhvillohej procesi i grupit të deputetëve dhe i organizatës tekniko-intelektuale është paraqitur një listë prej 60 vetash, duke kërkuar të arrestoheshin me qëllim pastrimi. Meqënëse nuk kishte material që të shërbente si bazë për këtë pastrim, ky material u nxorr me forcë nga proceset dhe numri nga 60 veta u rrit në 120. Materiali u nxorr me anë të torturave që u përdorën kundrejt të arrestuarve.[xxx]
      Por asnjë prej këtyre të dënuarve nuk u reabilitua pas dënimit të Xoxes, çka vërteton pretendimin e këtij të fundit se gjithçka ishte bërë me miratimin e Hoxhës. E ashtuquajtura organizatë sabotatore tekniko-intelektuale, do të përmendej deri në fund me të njëjtin emër nga historiografia komuniste, çka tregon se represioni ndaj intelektualëve ishte një imperativ i regjimit. Në të njëjtën kohë vazhdonte dhe terrori ndaj njerëzve të thjeshtë, në operacionet ndëshkimore të regjimit. Në akt-akuzën e paraqitur nga Prokurori në gjyqin ndaj Xoxes dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme, u tha për operacionet ndëshkimore në disa krahina veriore, në 1947:
       Në Peshkopi janë vrarë 10 veta pa gjyq, në Shkodër 15 veta, në Koplik 15 veta, në Mirditë 10 veta dhe numri arriti deri në 95 veta (1947), kurse arrestime janë bërë dyfish më shumë. Këto arrestime në Veri kanë shkaktuar panik dhe kanë përgatitur terrenin e agjentëve jugosllavë duke shkaktuar arratisjen në masë.[xxxi]
      Xoxe akuzohet se këto gjëra i ka bërë në zbatim të planeve jugosllave për të shkaktuar trazira në Shqipërinë e Veriut. Por pas dënimit të Xoxes nuk u bë asnjë reabilitim i këtyre njerëzve të vrarë në fushatat terrorizuese të regjimit. Dhe përsenë e shpjegon vetë Xoxe, kur thotë:
       Për ato që tha prokurori për vrasjet pa gjyq, kam pasë qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut Komandant dhe për këtë ka pasur vendim të Byrosë, kurse vetëm për një rast është vepruar duke qenë këshilluar vetëm me shokun Komandant.[xxxii]
      Nëse do t’ i shikoje të gjitha shifrat e terrorit të regjimit të Hoxhës, në përpjestim me popullsinë e Shqipërisë, mund të thuhej se Hoxha kishte arsye për ta mbajtur kokën lart me krenari tash që do të gjendej përballë Stalinit në Moskë, se regjimi në Shqipëri nuk ishte më pak vrasës se ai sovjetik.
      I dërguari jugosllav Savo Zllatiç, me të mësuar që Hoxha do të vizitonte Moskën, u largua për në Beograd, çka ishte shprehje e pakënaqësisë nga ana e Titos për vizitën e Hoxhës. Xoxe, në letrën që i çon në 23 shkurt 1949 Komisionit të Posaçëm Hetimor nga burgu, thotë:
       Savoja që kur iku në korrik dhe erdhi në 6 nëntor që solli akuzat e dyta, ka qenë gjatë kësaj kohe në Jugosllavi.[xxxiii]
      Për Hoxhën vizita në Moskë ishte përmbushja e një riti legjitimimi që shihej si i domosdoshëm për shefat e regjimeve komuniste. Hoxha i kishte vuajtur shumë zërat pas krahëve të tij që spekulononin mbi atë se përse ai nuk po ftohej ende në Moskë nga Stalini. Madje njerëzit e Xoxes bënin humor me faktin që tashmë në Moskë kishte qenë gruaja e Hoxhës, Nexhmija, e cila në maj 1947, shkoi në Moskë në një delegacion të kryesuar nga Spiru. Derisa Nexhmija kishte shkuar në Moskë kur kishin kaluar nëntë muaj nga vajtja në Paris, dhe ajo përsëri nuk kishte mbetur shtatzënë, u tha se tashmë këtë çështje e kishte marrë në dorë vetë Stalini, i cili do të bënte atë që nuk e bënë dot as mjekët e Parisit. Ndërsa për Spirun u tha se po shkonte që t’ i tregonte Stalinit hallin e Hoxhës se gruaja e tij kishte turp t’ ia thoshte. Shaka vulgare, por Xoxe dhe njerëzit e tij nuk qenë njerëz të kultivuar. 
       Hoxha do të nisej në vizitën e tij të parë në Bashkimin Sovjetik në 14 korrik 1947 dhe do të qëndronte atje deri në 26 korrik. Të nesërmen e arritjes në Moskë Hoxha do të takohej me ministrin sovjetik të Punëve të Jashtme, Molotov. Për Molotovin Hoxha shkruan në kujtimet se në një darkë në Kremlin, në dhjetor 1956, kishte thënë:
       Unë i përkas asaj kategorie njerëzish që nuk i kanë vënë rëndësi Shqipërisë dhe nuk e kanë njohur atë.[xxxiv]
      Molotovi reflektonte mosinteresimin e Stalinit ndaj Shqipërisë. Kur Molotov e pyet për çështjet kryesore që kërkon të paraqesë në takimin me Stalinin, Hoxha i thotë:
       nga ana e Shqipërisë çështja themelore është, sigurisht problemi i politikës së saj ndaj fqinjit të saj jugor-Greqisë.[xxxv]
      Hoxha, qartësisht kërkonte mbrojtjen sovjetike ndaj rrezikut grek, gjë që nuk kishte gjasa të vinte. Meqënëse Shqipëria në 1945 i kishte kërkuar drithë Bashkimit Sovjetik, Molotovi e pyeti Hoxhën për çështjen e drithit. Sipas procesverbalit të bisedës:
       Molotovi pyet a priten të korra të bollshme këtë vit në Shqipëri.
Enver Hoxha përgjigjet se këtë vit në Shqipëri priten të korra të bollshme dhe se qeveria shqiptare bën hesape të grumbullojë 2 milion kuintalë grurë dhe misër.
Molotovi pyet nëse Shqipëria do t’ i plotësojë nevojat me drithin e vet.
Enver Hoxha përgjigjet pohimisht.[xxxvi]
      Hoxha po gënjente trashë, se të korra të bollshme nuk mund të kishte, edhe  për shkak se fshatarëve u mungonte stimuli për të punuar shumë, për shkak të sistemit të detyrimeve, siç e kam treguar më lart. Se sa drithë do të grumbullonte regjimi nga prodhimi i vitit 1947, kjo zbulohet nga fjalët e ministrit të Tregtisë, Gogo Nushi në Plenumin VIII të Komitetit Qendror, shtatë muaj më vonë:
       Gjatë këtyre ditëve nga mosgrumbullimi i bereqetit në shumë qendra jemi dita-ditës në kërcënim të mbetemi pa bukë. Rrezikohemi në Durrës, Tiranë, Korçë. Kjo është gjendja në lidhje me bukën. Unë them se ky është problemi kryesor. Ne kemi mbajtur në fuqi racionet që u caktuan në muajin qershor. Që të mbajmë në fuqi këto racione duhet të realizojmë planin.[xxxvii]
      Hoxha gënjente në Moskë se donte që t’ u tregonte sovjetikëve se regjimi i tij ishte i aftë dhe i kishte gjërat nën kontroll sa i përket ekonomisë. Molotovit i pëlqente ta dëgjonte këtë, se kështu nuk do t’ i kërkohej ndihmë Bashkimit Sovjetik.       
      Në 16 korrik 1947, ditën e tretë të arritjes në Moskë, Hoxha do të takohej me Stalinin në Kremlin. Në Volumin nr. 4 të Veprave të Hoxhës, të botuar për herë të parë në vitin 1970, jepen materiale nga vizita e parë e Hoxhës në Moskë, në 1947, por nuk jepet biseda me Stalinin. Pjesë nga kjo bisedë u publikuan për herë të parë në 1979, në librin me kujtime të Hoxhës «Me Stalinin». Vizita e Hoxhës në Moskë nuk kishte asnjë nuancë ideologjike zyrtare. Hoxha u prit si çdo lider i një vendi borgjez, pra takimet dhe njoftimet qenë në linjë neutrale shtetërore. Takimi me Stalinin nuk e çertifikoi Hoxhën si një udhëheqës komunist. Përshtypja e parë e Stalinit për Hoxhën nuk duhet të ketë qenë e mirë se Hoxha ishte shtatlartë dhe Stalini i shkurtër, kishte antipati për njerëzit shtatlartë. Kompleksi i inferioritetit që Stalini kishte ndaj njerëzve shtatlartë shfaqet tërthorazi kur ai përshkruan takimin e vet të parë me Leninin, në në fjalimin «Mbi Leninin»mbajtur në Kremlin në fund të janarit 1924:
       Për të parën herë u takova me Leninin në dhjetor të vitit 1905, në konferencën e bolshevikëvet në Tamerfors (Finlandë). Prisja të shihja shqiponjën e malit të partisë sonë, njerinë e math, të math jo vetëm politikisht, por, si të thuash, edhe fizikisht, sepse unë e përfytyronja Leninin si një gjigant të pashëm dhe madhështor. Sa u habita kur pashë se ai ishte një njeri nga më të zakonëshmit, me shtat më t’ ulët se mesatari, që nuk dallonte aspak nga njerëzit e tjerë të zakonëshëm.[xxxviii]
      Stalini e përfytyronte Leninin pra ashtu si do të donte të kishte qenë vetë, gjigand, i pashëm dhe madhështor. Stalini ishte i shkurtër dhe i shëmtuar, me fytyrën e mbushur me pika të shkaktuara nga lija. Në fakt, Stalini duhet të jetë gëzuar që Lenini ishte ashtu si ç’ ishte se ndjeu një afeksion për të si i ngjashmi i vet. Më pas, kur Stalini do të bëhej një diktator i plotfuqishëm, regjimi i tij do të ishte një nanokraci. Ai do të rrethohej nga njerëz të shkurtër. Hoxha i gjatë dhe i pashëm nuk i ka pëlqyer Stalinit. Por atij duhet t’ i ketë pëlqyer me shikimin e parë Xoxe, që ishte në krah të Hoxhës, se Xoxe ishte i shkurtër.
      Një tjetër gjë që e ka bërë Hoxhën antipatik për Stalinin ishte se Hoxha nuk dinte rusisht. Të gjithë shefat e regjimeve komuniste në atë kohë dinin rusisht, se kishin jetuar para lufte në Bashkimin Sovjetik. Hoxha bënte përjashtim. Por Stalini nuk e shikonte këtë gjë si fajin e Hoxhës, por të Titos, i cili me sa duket i kishte instruktuar të dërguarit e vet në Shqipëri, në kohën e luftës, që të zgjidhnin në krye të PKSH një njeri që të mos kishte qenë në Bashkimin Sovjetik, në mënyrë që ai të ishte thjesht njeriu i jugosllavëve. Tash Stalini, i cili kishte një ndjenjë të hollë humori, shijonte ironinë e situatës, ashtu që me ankesat e Hoxhës tek sovjetikët në adresë të jugosllavëve, Tito po provonte efektin e kundërt të ilaçit që kishte bërë vetë si kundërhelm ndaj sovjetikëve. Kjo ishte e vetmja gjë që e bënte Hoxhën simpatik për Stalinin pragmatist. Stalini u soll me Hoxhën si me një komedian. Hoxha shkruan në kujtimet e veta për bisedën me Stalinin në takimin e korrikut 1947:
       Veç të tjerash ai shfaqi edhe mendimin që Partia jonë Komuniste, meqë përqindja e komunistëve fshatarë në radhët e saj është më e madhe, të quhet 'Partia e Punës e Shqipërisë.[xxxix]
      Stalini me këtë i vuri vizë revolucionit që ishte bërë në Shqipërinë në Shqipërinë agrare të prapambetur, duke i thënë se atje nuk mund të kishte një parti me emrin «parti komuniste», e cila të kishte ardhur në pushtet. Pas këtij fakti bota do të shihte kushedi çfarë monstruoziteti. Stalini e vuante vetë etiketimin e despotit të një shoqërie agrare, se Bashkimi Sovjetik ishte ende një shoqëri agraro-industriale ku rreth dy të tretat e popullsisë jetonin në fshat. Prandaj Stalini, me një dinakëri tipike orientale, i kërkoi Hoxhës që partia të mbetej komuniste në thelb, por emrin të mos e kishte komuniste. Partisë shqiptare do t’ i rikthehej emri «komuniste» kur klasa punëtore të kapërcente në numër fshatarësinë, gjë që nuk ndodhi sa qe gjallë Hoxha, madje nuk ndodhi deri sa ekzistoi partia, në 1991. Ironia e madhe është se Stalini, duke kërkuar ndërrimin e emrit të partisë shqiptare dhe Hoxha duke e pranuar atë bënë një akt revizionist. Fjala «revizionizëm» ishte herezia më e madhe në fenë  ideologjike staliniane dhe enveriane, dhe ata që e kryenin atë quheshin «revizionistë». Termat kishin konotacion demonologjik, dhe shenjonin çdo tentativë për rishikimin e dogmës marksiste-leniniste, të krijuar sipas pikëpamjes së Stalinit, si dhe rishikuesit e saj. Në fakt Stalini kishte qenë revizionisti më i madh, me teorinë e tij të socializmit në një vend të vetëm, dhe të ashpërsimit të luftës së klasave sa më tepër që shkohej para në ndërtimin e socializmit. Kuintia essentia e revizionizmit stalinian, ana qesharake e tij, ishte me siguri ndryshimi i emrit të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Hoxha, duke pranuar që t’ i ndryshonte emrin partisë, gjë që do ta bënte një vit më pas në kongres (ndryshimi i emrit të partisë ishte atribut i kongresit) bëri me siguri aktin revizionist më grotesk, ashtu siç i kishte hije një komediani si ai. Është e vërtet se në atë kohë, në vende të bllokut sovjetik si në Hungari, Gjermaninë Lindore, Poloni, partitë komuniste morën emra të tjerë, por kjo ndodhi pasi ato u bashkuan me parti të majta të majta jokomuniste, për të krijuar një parti të vetme, anëtarët e së cilës quheshin komunistë, por partia vetë quhej e «punonjësve», ose «punëtore». Vetëm në Shqipëri do të ndodhte që partia komuniste të ndërronte emrin pasi kishte ardhur në pushtet, dhe e mbante atë e vetme.
      Vizita në Moskë ishte megjithatë një sukses për Tarasin-Herman. Stalini e inkurajoi atë se i duhej si kartë në lojën e tij me Titon. Por Stalini në takimin me Hoxhën u kujdes që t’ u çonte kumte qetësuese jugosllavëve, duke thënë fjalët e mëposhtme, për të cilat ai e dinte se Xoxe, i pëlqyeri i jugosllavëve, do të kujdesej që t’ u shkonin atyre:
       Ne nuk mund t’ ju ndihmojmë dot drejtpërdrejt. Ndihmat tona ne do t’ jua japim nëpërmjet Jugosllavisë, pse po t’ jua japim drejtpërdrejt dhe po të marrin vesh për këtë anglo-amerikanët, atëherë ata do të përpiqen të bëjnë pengesa. Po ndihmat do të vijnë nëpërmjet Jugosllavisë... Në Jugosllavi ka njerëz të mirë dhe s’ besoj që t’ jua mbajnë ato që do të dërgojmë për ju, bile do t’ ju ndihmojnë edhe ata. Ju do t’ i bëni punët me anën e Jugosllavisë dhe ne do t’ u ndihmojmë. Është shumë mirë që ju keni Jugosllavinë aleat në kufi.[xl]
      Këto fjalë të Stalinit konfirmonin atë që Stalini u kishte thënë jugosllavëve që në janar 1945 se Bashkimi Sovjetik nuk donte që të kishte probleme me aleatët perëndimorë për shkak të Shqipërisë. Sa për ndihmat që sovjetikët do t’ i jepnin Shqipërisë me anë të Jugosllavisë, për to në takim nuk u tha asgjë konkrete. Bashkimi Sovjetik u tregua i gatshëm që të bënte tregti me Shqipërinë, si me çdo vend tjetër jokomunist, që mund të merrte kredi me interes jo të ulët nga Bashkimi Sovjetik, në rast se pranonte të blinte mallra në Bashkimin Sovjetik. Gjatë vizitës së Hoxhës në Moskë, mes dy vendeve u arrit një marrëveshje për dhënien Shqipërisë të një kredie, sipas së cilës:
       Qeveria e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike vë në dispozicion të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë një kredi në masën gjashtë milioni 6.000.000 i dollarëve USA për të paguar maqinerinë dhe plaçkat e tjera.[xli]
      Shqipëria do të furnizohej me mallrat e parashikuara në marrëveshjen e kredisë deri në vitin 1951.[xlii]Paradoksisht, shuma e kredituar u llogarit në dollarë edhe pse Shqipëria me shumën e akorduar do të blinte mallra në tregun sovjetik. Bashkimi Sovjetik po i jepte Shqipërisë një kredi me një shumë sa një e katërta e ndihmës që SHBA dhe Britania e Madhe i kishin dhënë Shqipërisë falas me anë të UNRRA deri më atëherë.
      Stalini shtroi një darkë në Kremlin për delegacionin shqiptar. Mund të merret me mend lehtë se si ka shkuar kjo darkë kur dimë ato që shkruan Hrushov në kujtimet e veta për këto darka në vitet e fundit të Stalinit:
       Pothuajse çdo mbrëmje binte telefoni dhe dëgjohej zëri i tij: «Nisuni, do të drekojmë bashkë». Ato ishin dreka të tmerrshme. Në shtëpi ktheheshim në të gdhirë, ndërkohë që duhej të shkoja në punë.[xliii]
      Gjithashtu Hrushovi shkruan për këto dreka-darka:
       Por meqënëse pija i pëlqente Stalinit edhe ai vetë përdorte pije të forta, madje tërhiqte dhe të tjerë, gjersa deheshin për t’ i bërë qejfin udhëheqësit.[xliv]
      Sigurisht që Stalini dhe Beria janë kujdesur që të dehin Hoxhën dhe Xoxen për t’ i bërë pastaj që të flasin të vërtetën, sipas asaj shprehjes latine, që njihej mirë edhe në Lindje. Vizita e Hoxhës në Moskë u prit keq në Beograd. Pandi Kristo do të thoshte në Plenumin VIII:
       Pasi erdhën shokët nga Moska, shkoi Hysniu në Jugosllavi. Aty pa se ishte e ftohtë gjendja. Shokët që erdhën nga Moska thanë se duhet të orientoheshim nga Jugosllavia.[xlv]
      Jugosllavët nuk munguan që t’ ia shprehin edhe Moskës pakënaqësinë e tyre. Në 14 gusht 1947, ambasadori sovjetik në Jugosllavi i raporton Moskës për një bisedë me Titon, ku u prek çështja e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare:
       Në bisedën që pata me Titon në Brdo, ky i fundit më tha se pas vizitës së delegacionit shqiptar në Moskë disa udhëheqës shqiptarë nuk kanë mbajtur qëndrim të drejtë ndaj Jugosllavisë dhe nuk e vlerësojnë drejt politikën e saj miqësore... Tito më shprehu pakënaqësinë e tij të veçantë ndaj qëndrimit të Nako Spirus, i cili pas mendimit të tij bën një politikë për shkëputjen e Shqipërisë nga Jugosllavia... Titoja nuk mendon se Hoxha sillet me dy fytyra, por, sipas përshtypjeve të tij, ai mund të bjerë lehtë në ndikime të ndryshme. Udhëheqës më të fortë dhe më konsekuent Titoja konsideron Xoxen.[xlvi]
      Tito, duke e lidhur këtë ndryshim të sjelljes së disa udhëheqësve shqiptarë ndaj Jugosllavisë, me vizitën e Hoxhës në Bashkimin Sovjetik, praktikisht thotë se e gjithë kjo ka ardhur si pasojë e nxitjes së sovjetikëve, duke u atribuar këtyre dhe sjelljen e mëparshme të këtij lloji të këtyre udhëheqësve shqiptarë. Tito këtu praktikisht e akuzon Spirun për një konspiracion antijugosllav, çka do të thotë se ai ishte një agjent i Perëndimit. Tito e diferencon Hoxhën nga Spiru, duke e quajtur si një njeri të influencueshëm. Por kur Tito flet për ndikimet e ndryshme, në të cilat ka prirjen që të bjerë Hoxha, ai nuk ka parasysh vetëm Spirun, por në radhë të parë sovjetikët. Tito pothuajse u thotë hapur sovjetikëve se jugosllavët duan që Spiru të eliminohet dhe që Hoxha të zëvendësohet me Xoxen.
      Pas kthimit nga Moska, Hoxha doli nga vetëizolimi dhe ndërmori të parin tur të madh të vizitave në vend, në Shqipërinë e Jugut, që ishte baza e regjimit. Brenda dy javësh Hoxha bëri aq vizita dhe mbajti aq fjalime në mitingje, sa ç’ nuk kishte bërë në rreth tre vjet, pas luftës. Në 29 shtator 1947 Hoxha vizitoi Fierin, ku mbajti një fjalim «para popullit të Fierit dhe të Myzeqesë».[xlvii] Ky ishte mitingu i dytë i Hoxhës jashtë Tiranës, pas atij në Gore të Lushnjës. Po në 29 shtator, ai foli në një miting në Mallakastër. Në 30 shtator ai foli në një miting në qytetin e Vlorës. Në 1 tetor ai foli në një miting të punëtorëve të Minierës së Selenicës në Vlorë. Po në 1 tetor ai foli në një miting në Drashovicë të Vlorës, përpara fshatarëve të krahinës. Në 2 tetor ai foli në një miting në Kurvelesh. Në 3 tetor Hoxha vizitoi për herë të parë Gjirokastrën pas luftës, ku foli në një miting në qytetin e Gjirokastrës. Ajo që bëri përshtypje në fjalimin e Hoxhës në Gjirokastër ishte se ai në përfundim të fjalimit përmendi vetëm muslimanë, si njerëz të shquar të qytetit:
      Rroftë qyteti heroik i Çerçiz Topullit, i Muzafer Asqeriut, i Muhamet Bakirit, i Kapo Boços, i Bule Naipit, etj![xlviii]
      Kjo ishte një shenjë se lufta në udhëheqjen komuniste mes Hoxhës dhe Xoxes po bëhej në linjat fetare, duke kërkuar secili bazën e fuqisë së vet personale, tek të ngjashmit e vet dhe duke u paraqitur si mbrojtës i interesave të tyre. Në 6 tetor Hoxha foli në mitingun e mbajtur në qytetin e Përmetit. Po në 6 tetor ai mbajti një fjalim në një miting në qytetin e Beratit. Në 7 nëntor ai foli në mitingun e mbajtur në Kuçovë dhe po në këtë ditë do  të mbante një fjalim në mitingun në qytetin e Lushnjës. Në 8 tetor Hoxha mbajti një fjalim në një miting në qytetin e Elbasanit. Si duket, për të zhdukur përshtypjen e keqe që kishte bërë përmedja e emrave vetëm të një feje në Gjirokastër, Hoxha në fjalimin në Elbasan, do të përmendte më tepër emra të krishterësh ortodoksë, edhe pse qarku i Elbasani në shumicën e vet qe përbërë nga popullsi muslimane:
       Në luftën nacional-çlirimtare populli i Elbasanit dhe i krahinave të tij i ka dhënë Shqipërisë trima dhe heronj. Lavdi këtyre, lavdi e përjetshme. Lavdi Tomor Sinanit, Thoma Kalefit, Ptoleme Xhuvanit, Kozma Naskës, Tajar Guranjakut, Jorgji Dilos, Adem Krasniqit e qindra e qindra të tjerëve![xlix]
      Në 9 tetor Hoxha mbajti një fjalim në në inaugurimin e Kanalit Vaditës “Naum Panxhi” (Hajdaran-Gostimë) në Elbasan. Kanali ishte filluar të ndërtohej nga italianët dhe u përfundua me punën e të burgosurve politikë, çka i dha mundësi Hoxhës ta promovonte. «Këtë vepër të madhe të pushtetit dhe të popullit», siç e quajti ai[l], e bënë të burgosurit politikë.
      Në 9 tetor Hoxha ishte në Pogradec, ku mbajti një fjalim në një miting në këtë qytet. Në 12 tetor Hoxha foli në një miting të mbajtur në Maliq të Korçës, me rastin e përfundimit të punimeve të para për tharjen e kënetës. Në 12 tetor Hoxha do të fliste në miting në qytetin e Korçës. Në 14 tetor Hoxha foli në një miting në Vithkuq të Korçës, para fshatarëve të krahinës. Në përfundim të turit të parë të madh të Hoxhës në vend u vu re se ky nuk ishte një tur vizitash në Shqipëri, por thjesht në Toskëri. Nga 16 mitingje në të cilat foli Hoxha, 15 qenë bërë në jug të Lumit Shkumbin dhe vetëm një në veri të tij. Shqipëria ishte një vend i vogël dhe Hoxha mund të kishte treguar kujdes që për turin e tij të parë të madh në vend, të kishte një agjendë të kombinuar që të përfshinte sadopak edhe Veriun e vendit, veç Jugut. Me këtë tur vizitash në Jug të kreut të regjimit, bëhej e qartë se regjimi e shikonte veten si regjim me bazë në Shqipërinë e Jugut.
      Entusiazmi i vizitës së Hoxhës në Moskë u cenua disi në shtator 1947, më pak se dy muaj pas kthimit të Hoxhës nga Moska, kur PKSH nuk u ftua në në mbledhjen partive komuniste e mbajtur në Szklarska Poreba në Poloni ku u krijua Byroja Informative e Partive Komuniste dhe Punëtore, një lloj ringjalljeje e Kominternit. PKSH ishte e vetmja parti komuniste në pushtet që nuk u ftua në mbledhje. Në Byronë Informative bënte pjesë deri edhe Partia Komuniste e Territorit të Lirë të Triestes (një entitet i krijuar në pritje të zgjidhjes së kundërshtimeve territoriale mes Jugosllavisë dhe Italisë), por jo PKSH! Nga vendet e Ballkanit nuk bënin pjesë dy parti komuniste, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Greqisë. Me këtë Stalini i thoshte Perëndimit se nuk kishte interesa dhe dorë në Shqipëri dhe Greqi. Ajo çka e bënte më të hidhur mungesën e PKSH në këtë forum të komunizmit ndërkombëtar ishte fakti se në fjalimin e hapjes, i dërguari i Stalin, Zhdanov, tha se bota tashmë qe e ndarë në dy kampe, nga të cilët njëri i ishte përkushtuar socializmit, demokracisë dhe paqes, ndërsa tjetri reaksionit e luftës. Pra, mospjesëmarrja e PKSH, megjithëse në pushtet, do të thoshte se Shqipëria nuk i përkiste «kampit të socializmit, demokracisë dhe paqes», domethënë bllokut sovjetik.
      Sa i përket mungesës së Shqipërisë në Byronë Informative ka dhe një ironi jo të vogël. Mbledhja e themelimit të Byrosë Informative u hap në 22 shtator 1947 në të njëjtën ditë që filloi në Paris konferenca e vendeve europiane që do t’ u paraqiste SHBA një plan me kërkesat për ndihmë të vendeve pjesëmarrëse në suazën e Planit Marshall. Mbledhja e partive komuniste ishte qartësisht një reagim sovjetik ndaj konferencës së Parisit. Por ironikisht, në mbledhjen në Poloni mungonte PKSH, ajo parti, udhëheqësi i së cilës, Hoxha, e shndërroi në një spektakël të vërtetë refuzimin e ftesës për të marrë pjesë në konferencën për Planin Marshall, duke e kumtuar atë personalisht në një seancë të parlamentit. Hoxha në kujtimet e veta e shpjegon kështu mospjesëmarrjen e PKSH në Byronë Informative:
       Më 1947 u krijua Byroja Informative e partive komuniste të Evropës ku morën pjesë 9 parti, duke përfshirë të gjitha partitë e vendeve të atëhershme socialiste si dhe PK të Francës e atë të Italisë. Jashtë mbeti vetëm një parti e një vendi socialist të Evropës: Partia Komuniste e Shqipërisë! Nuk dua të shpreh asnjëfarë pakënaqësie se pse nuk u përfshi në këtë forum të rëndësishëm edhe Partia jonë, por fakti që jashtë mbeti vetëm një parti komuniste e një vendi socialist, të bën të dyshosh e të mendosh se në këtë mes kishte diçka që nuk shkonte. Vinte kjo nga mosnjohja apo nga keqinformimi i të tjerëve- këtë problem do ta vërtetojë koha. Bindja jonë është se këtu fshihet dora e zezë e agjenturës titiste.[li]
      Në rast se fajin e kishin jugosllavët, atëherë pse PKSH nuk u pranua anëtare e Byrosë Informative pas largimit të PKJ prej këtij forumi? Kuptohet se mungesa e PKSH në këtë forum nuk ishte vetëm për shkak të jugosllavëve, por edhe të sovjetikëve. Me mospjesëmarrjen e partisë shqiptare në Byronë Informative, në një kohë që atje ishte si anëtare edhe një parti e një territori të ndarë nga një shtet tjetër, bëhej e qartë se për Beogradin dhe Moskën Shqipëria shihej si inekzistente, por nga pikëpamje të ndryshme. Derisa Beogradi parashikonte që ta aneksonte Shqipërinë, Moska nuk donte të kishte të bënte me Shqipërinë për pragmatizëm gjeopolitik, por nuk ishte kundër që Jugosllavia ta aneksonte Shqipërinë, me kusht që t’ i mbante vetë pasojat e këtij veprimi. Fakti se qendra e Byrosë Informative u vendos në Beograd e bënte edhe më evidente mospjesëmarrjen e Shqipërisë.
      Një muaj pas krijimit të Byrosë Informative, në 24 tetor 1947 Hoxha tha në plenumin e Komitetit Qendror, për Konsultën e Informbyrosë:
       Partia jonë duhet patjetër të koordinojë vijën e saj me qëllimet e të gjithë kampit demokratik, prandaj është e domosdoshme që partia jonë t’ i aprovojë dhe t’ i brohoritë vendimet e marra nga Konsulta. Partia jonë do t’ i verë të gjitha forcat që t’ i japë Byrosë Informative eksperiencën e saj dhe të marrë prej saj eksperiencën për luftën kundër imperializmit.[lii]
      Ky ishte një arsyetim prej komediani: do të aprovoheshin me brohoritje vendimet e një mbledhjeje dhe të një forumi ku nuk qenë pranuar?! Në lidhje me hyrjen e PKSH në Byronë Informative, Hoxha tha në këtë plenum:
       Partia jonë në momentin oportun do të kërkojë të bëjë pjesë në Byronë Informative.[liii]
      Me sa duket Hoxha priste që t’ i vinte sinjali nga Moska se mund të bënte këtë kërkesë. Por Moska nuk pranonte që të kishte marrëdhënie ideologjike me Tiranën. Kur Hoxha i bëri një telegram Stalinit, në nëntor të atij viti, me rastin e 30-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, megjithëse kjo ishte një ngjarje ideologjike, Hoxha nuk kishte leje që t’ i drejtohej Stalinit si sekretar i përgjithshëm i PKBS, në emër të Komitetit Qendror të PPSH. Në telegram Hoxha nuk i drejtohet Stalinit si «shoku Stalin», por si «Gjeneralisimi Stalin, kryetar i Këshillit të Ministrave të BRSS».[liv]
      Hoxha i drejtohet Stalinit «në emër të popullit shqiptar, të Qeverisë së Republikës Popullore dhe në emrin tim personal»[lv], por jo në emër të Komitetit Qendror të PKSH. Hoxha e nënshkruan telegramin si:
       Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë
Gjeneral-Kolonel
Enver Hoxha.[lvi]
      Është e qartë se Hoxha nuk shihej nga Moska si një partner ideologjik. Ai nuk u ftua në Moskë në celebrimet e mëdha që u bënë me rastin e jubileut të Revolucionit. E megjithatë, Hoxha, si një komedian i pandreqshëm, në mesazhin drejtuar popullit me rastin e përvjetorit të tretë të çlirimit të atdheut, në 29 nëntor 1947, do të shprehej:
       Populli ynë me vendosmërinë më të madhe do të luftojë deri në vdekje kundër tentativave të poshtra të imperialistëve anglo-amerikanë dhe shërbëtorëve të tyre; populli ynë me vendosmërinë më të madhe ka vënë forcat e tija në kampin e fuqishëm antiimperialist dhe demokratik në krye të të cilit qendron i fuqishëm dhe i pathyeshëm Bashkimi i madh Sovjetik.[lvii]
      Termin «kampi antiimperialist demokratik», e kishte përdorur së pari Zhdanov, në fjalimin e mbajtur dy muaj më parë në mbledhjen kur u krijua Byroja Informative, dhe me këtë term nënkuptohej blloku i vendeve satelite të Bashkimit Sovjetik. Por Shqipëria nuk mund të quhej se bënte pjesë në këtë kamp, derisa nuk ishte pranuar në Byronë Informative. Hoxha e përmendi për herë të parë përkatësinë në këtë kamp në fjalimin e 29 nëntorit 1947, edhe pse Moska qartësisht refuzonte ta shihte Shqipërinë si pjestare të këtij kampi. Hoxha, duke u ndjerë i refuzuar nga Stalini, bëri gjeste me të vërtetë prej komediani për të shprehur devotshmërinë e tij ndaj Bashkimit Sovjetik. Në 6 nëntor 1947 Hoxha botoi një artikull me titull «Moska dhe populli shqiptar», për të cilin në veprat e tij është shënimi «Shkruar me rastin e 800-vjetorit të Moskës». Në këtë artikull Hoxha shkruan gjëra qesharake:
      Që i vogël në bankat e shkollës, fillova të të dua me gjithë shpirt, o Moskë e madhnueshme, o Moskë heroike. Kjo dashuri lindi në zemrën time të re, kur këndova për herë të parë luftën tënde të pavdekshme, patriotike kundër Napoleonit, kundër invadorit francez:
Ditë të errëta. Imperatori kthehej ngadalë
Duke lënë pas të digjej Moskën në tym.
.............................................................
                        Për herë të parë shqiponja ulte kryet.[lviii]
      Këtu, Hoxha, qartësisht kërkon të përgënjeshtrojë zërat që mund të kishin shkuar në Moskë për të sikur ishte më tepër i prirur ndaj kulturës perëndimore për shkak të arsimit të tij francez. Prandaj, zgjedh të citojë vargjet ku tregohet disfata e Napoleonit në Rusi, të cilat në kontekstin e dashurisë për Moskën që shpreh Hoxha këtu fitojnë tjetër konotacion nga ai që kanë në poemën e Victor Hugo.

2.
Kur tradhton shefi i konspiracionit: Enver Hoxha shet Nako Spirun tek jugosllavët

      Teoria e konspiracionit që Tito i kishte paraqitur në terma evazive ambasadorit sovjetik në Jugosllavi në gusht 1947, në lidhje me qëndrimet antijugosllave në udhëheqjen shqiptare, në fillim të nëntorit 1947 u artikulua në një qëndrim zyrtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë adresuar homologut shqiptar. Në 6 nëntor 1947, i dërguari i Komitetit Qendror të PKJ në Shqipëri, Zllatiç, në një bisedë me Hoxhën dhe Xoxen, u komunikoi këtyre se:
       Komiteti Central Jugosllav, duke çmuar këtë situatë ndërkombëtare dhe situatën e krijuar në mes nesh, duhet të jetë vigjilent për të gjitha këto, sidomos në marrëdhëniet me Jugosllavinë mos ka gisht armiku. Kur të analizohen marrëdhëniet mes nesh, ne nuk mund të mos vërejmë një rol të çuditshëm që lot Nako Spiru. Ne na duket se shoku Nako Spiru dëshiron në këtë gjë orientimin antijugosllav dhe është mbrojtës i këtij orientimi.[lix]
      Pra, këtë herë bëhej fjalë jo më për një problem burokratik, por për një konspiracion, ku udhëheqës shqiptarë vepronin në bashkëpunim me armikun që në këtë rast qe Perëndimi, Britania e Madhe dhe SHBA. Ishte e qartë se me këtë jugosllavët i zbuluan letrat e tyre duke filluar goditjen ndaj krahut prosovjetik në udhëheqjen shqiptare. E vërteta ishte se në udhëheqjen shqiptare në atë kohë kishte dy konspiracione. I pari ishte konspiracioni i drejtuar nga Xoxe, i favorizuar nga jugosllavët, i cili kishte shumicën në Byronë Politike, dhe që kërkonte të eliminonte Hoxhën. I dyti ishte konspiracioni i drejtuar nga Hoxha, i cili kërkonte të eliminonte grupin e Xoxes. Edhe krahu i Hoxhës ishte nën dëgjesën e Beogradit, por kur shikonte se ky i fundit favorizonte krahun tjetër, atëherë provonte të luante dhe kartën sovjetike. Jugosllavët nuk mund ta toleronin më këtë gjë. Synimi i qartë i jugosllavëve ishte që të organizonin në Tiranë një gjyq-spektakël të llojit të proceseve të Moskës, ku krahu sovjetik i udhëheqjes shqiptare të dilnin në bankën e të akuzuarve, si konspiratorë të cilët në bashkëpunim me fuqitë imperialiste perëndimore donin të prishnin marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, e nënkuptohej dhe ato sovjeto-jugosllave, derisa konspiratorët qenë ankuar në Moskë ndaj jugosllavëve. Kështu, nxënësit, Tito dhe Rankoviç, po kërkonin t’ i jepnin një leksion mësuesit, Stalinit, në specialitetin e këtij të fundit. Me këtë jugosllavët synonin të arrinin disa gjëra. Së pari t’ u hiqnin sovjetikëve nga dora kartën shqiptare, të cilën ata kishin filluar ta përdornin prej disa kohësh në debatin sovjeto-jugosllav që kishte filluar. Së dyti, të eliminonin krahun prosovjetik në udhëheqjen shqiptare që, në rrethanat e reja,  e shikonin si të papërshtatshëm në kohën që do të avanconte agjenda e aneksimit të Shqipërisë.
      Së treti, ata mendonin që me këtë gjyq-spektakël t’ ua shndërronin në boomerang  britaniko-amerikanëve akuzën që po i bënin Jugosllavisë sikur ishte ajo përgjegjëse për atentatin në Kanalin e Korfuzit, duke i vendosur minat atje. Në mars 1947 Këshilli i Sigurimit i OKB miratoi një rezolutë me të cilën Shqipëria bëhej fajtore se kishte lejuar vendosjen e minave në afërsi të bregdetit shqiptar. Kështu, praktikisht përgjegjës për vendosjen e minave bëhej Jugosllavia! Madje, në gjyqin ndërkombëtar të zhvilluar në Hagë për këtë çështje, Britania e Madhe do të sillte prova se minat detare kishin ardhur në Shqipëri nga Jugosllavia, në gusht-shtator 1946, dhe qenë vendosur në Kanalin e Korfuzit nga ekspertë jugosllavë.[lx]
      Në fakt provat britanike nuk qenë bindëse dhe konsistonin në deklaratat e ushtarakëve jugosllavë të arratisur në Perëndim, të cilët e pohonin këtë gjë. Britania e Madhe dhe SHBA e dinin se minat nuk i kishte vendosur Jugosllavia por e fajësonin atë si pjesë e kundërpërgjigjes së tyre ndaj politikës ekstremiste jugosllave në adresë të Greqisë, Italisë, si dhe ndaj vetë Britanisë së Madhe dhe SHBA, për shkak se këto të fundit mbështesnin Italinë dhe Greqinë, ashtu që të përballonin presionin jugosllav. Në 9 nëntor 1947 Gjykata Ndërkombëtare e Hagës do të fillonte gjykimin për çështjen e atentatit të Kanalit të Korfuzit. Në këto rrethana jugosllavët mendonin që ta përdornin gjyqin-spektakël të Tiranës edhe si kundërpërgjigje ndaj gjyqit në Hagë, duke i bërë të pandehurit e gjyqit të Tiranës që të pohonin se minat i kishin vënë ata në bashkëpunim me britaniko-amerikanët, në mënyrë që t’ u jepnin mundësi këtyre të fundit që të invadonin Shqipërinë dhe të hynin në luftë ndaj Jugosllavisë, e cila duke pasur një traktat aleance ushtarake me Shqipërinë kishte detyrimin që t’ i shkonte në ndihmë kësaj. Nuk është e rastit që akuza jugosllave për një konspiracion në udhëheqjen shqiptare, në bashkëpunim me britaniko-amerikanët, erdhi tre ditë para fillimit të gjyqit në Hagë.
      Edhe pse në akuzën që i erdhi Tiranës nga Beogradi përmendej me emër vetëm Spiru, kuptohej që nëse gjërat do të shiheshin nga kjo pikëpamje, atëherë do të implikoheshin edhe të tjerë, duke filluar nga Hoxha, Shehu etj. Hoxha ishte eprori i drejtpërdrejtë i Spirut në qeveri, çka e bënte atë përgjegjësin e parë për këtë veprimtari të Spirut, pa përmendur këtu faktin e njohur që Hoxha dhe Spiru qenë afruar shumë me njëri-tjetrin që prej pranverës së vitit të kaluar. Hoxha e kuptonte se nëse Byroja Politike dhe Komiteti Qendror pranonin akuzën jugosllave për Spirun, atëherë ky duhej të arrestohej, çka do të thoshte të ishte në duart e Xoxes. Në birucat e Sigurimit të Shtetit me të do të luhej truku klasik i praktikës staliniane të spastrimeve: do t’ i ofrohej falja e jetës në këmbim të fajësimit të Hoxhës. Nëse Spiru do të dilte në një gjyq-spektakël të stilit stalinian, ai nuk do të ishte i vetëm në bankën e të akuzuarve, me të do të qenë edhe Hoxha, Shehu etj. Hoxha thotë saktë në kujtimet e veta:
       Koçi Xoxe pa në këtë betejë që po niste rrugën e sigurt drejt realizimit të ëndrrës së tij të vjetër. Nako Spiru për Koçin mori fund, si pengesë mbetesha vetëm unë, por si 'përkrahës' i Nakos, sipas tij e jugosllavëve, unë duhet të pësoja të njëtin fat.[lxi]
      Xoxe mund të ishte i paduruar, por, jugosllavët që kishin bërë shkollën staliniane të spastrimeve, nuk mund të gabonin që t’ i kapërcenin aktet e dramaturgjisë së eliminimit politik. Në këtë fazë jugosllavëve u interesonte që Hoxha të mos atakohej, madje të bindej se nuk do të prekej në rast se do të bënte rolin që i kishin caktuar, pra të paraqiste akuzën jugosllave në mbledhjen e Byrosë Politike, e më pas në plenumin e Komitetit Qendror që do të mblidhej për këtë çështje, duke e konsideruar akuzën si të vërtetë dhe duke bërë autokritikë që e kishte mbështetur atë. Pas kësaj Hoxha mund të eliminohej në çdo moment,  në një plenum të jashtëzakonshëm, ose në kongresin e partisë që do të mbahej vitin e ardhshëm. Ajo çka i trembeshin jugosllavët ishte se mos Spiru në mbledhjen e Byrosë Politike e kundërshtonte akuzën, mbështetej në këtë qëndrim nga Hoxha, duke kërkuar pastaj këta të dy arbitrim sovjetik. Në rast se sovjetikëve do t’ u kërkohej zyrtarisht arbitrim nga Tirana, ata vështirë se nuk do ta pranonin, nisur nga çfarë i kishte thënë Stalini Kardelit në prill. Prandaj jugosllavët ndoqën të njëjtën praktikë për të cilën e kishin kritikuar Hoxhën në plenumin e Beratit, atë të konspiracionit dhe të klikës brenda forumeve drejtuese të partisë. Jugosllavët, me rastin e eliminimit të Spirut krijuan atë që mund të quhet klikë ad hoc e Hoxhës dhe Xoxes. Në mbledhjen e Byrosë Politike në datën 18 nëntor, kur u diskutua akuza jugosllave, Hoxha do të informonte për bisedimet me Zllatiçin për këtë çështje:
       Bisedimet kanë filluar që më datën 6 deri 18 XI 47, bisedimet janë bërë simbas dëshirës së shfaqur prej Zllatiçit midis Komandantit, Koçit dhe atij vetë. Përkthimin e bënte Koçi.[lxii]
      Zgjatja e bisedimeve ka ndodhur se jugosllavët donin të bindnin Hoxhën që të mbështeste akuzën e tyre kundër Spirut, duke i dhënë garanci se vetë Hoxha do të kursehej, si në plenumin e Beratit. Për Hoxhën nuk ishte një gjë e re që atëherë kur i duhej të shpëtonte kokën dhe postin të pranonte bënte autokritikë dhe të sulmonte bashkëpunëtorët e vet më të afërt, siç kishte bërë në plenumin e Beratit me Liri Gegën dhe Ramadan Çitakun. Hoxha nuk e kishte për gjë ta bënte këtë edhe me Spirun, në rast se do të merrte garanci se do të shpëtonte edhe këtë herë si në plenumin e Beratit. Negociatat mes Zllatiçit Hoxhës dhe Xoxes kanë vazhduar 12 ditë, siç del nga citimi i mësipërm. Gjatë gjithë kësaj kohe Hoxha nuk e mblodhi Byronë Politike, kur ishte dashur që ta bënte këtë gjë e shumta të nesërmen që Zllatiç komunikoi akuzën dhe në këtë mbledhje duhej të diskutohej mbi akuzën jugosllave. Ironikisht tash Zllatiç po bënte atë gjë për të cilën paraardhësi i tij, Stoiniç dhe Xoxe e kishin kritikuar Hoxhën në plenumin e Beratit, drejtimin me anë të një klike ku kryesonte Miladin Popoviç, dhe pas tij vinte Hoxha e Liri Gega. Tashmë dukej qartë se klika e re ishte ajo Zllatiç-Hoxha-Xoxe. Gjatë kohës që bëheshin negociatat mes Zllatiç dhe Hoxhës e Xoxes, këta dy të fundit kanë biseduar për të përpunuar anëtarët e tjerë të Byrosë Politike dhe për t’ i hedhur kundër Spirut.  Hoxha shkruan në kujtimet e veta:
       Dy a tri ditë pas akuzës së Zllatiçit, më erdhën për «vizitë» në shtëpi Koçi Xoxe me Pandi Kriston. Sapo hynë e kuptova se i kishin diskutuar me njëri- tjetrin mirë gjërat… Pak a shumë biseda, si gjoja «midis shokësh», po kthehej prej tyre në një lloj mbledhjeje Byroje. Veç ishim tre veta, të tjerët nuk u thirrën. Ata këmbëngulën që të thërritnim vetëm Nakon për «ta vënë në dijeni e t’ i kërkojmë llogari»… Pas shumë debatesh ramë dakord për një «kompromis»: Të mos thirrej Nakoja drejt e në Byro e atje t’ i lëshoheshin të gjitha, por paraprakisht ta informonim për çka na komunikoi Zllatiçi e pastaj të fillonim diskutimet.[lxiii]
      Nuk duket e besueshme që Xoxe të ketë parë ndonjë dobi tek thirrja e Spirut para mbledhjes së Byrosë Politike dhe t’ i komunikohej akuza jugosllave e t’ i kërkohej llogari paraprakisht. Kjo nuk ishte në pajtim me manualin e eliminimeve në udhëheqjen e partisë, të cilin në PKSH e kishte sjellë si praktikë Miladin Popoviç dhe me të cilin Stoiniç në fillim dhe tash Zllatiç e kishin instruktuar Xoxen. Sipas manualit të eliminimeve në udhëheqje, ata që mblidheshin paraprakisht e bënin këtë për të kordinuar sulmet ndaj atij që shënjestrohej. Para mbledhjeve të Byrosë politike, ku u përgatit plenumit të Beratit, në të cilat u sulmua Hoxha, gjithçka u përgatit paraprakisht në disa takime mes të dërguarit jugosllav Stoiniç dhe tre anëtarëve të Byrosë Politike: Xoxes, Spirut dhe Sejfulla Malëshovës. Spiru është thirrur vërtet nga Hoxha dhe Xoxe dhe është vënë në dijeni për akuzën e ardhur nga Beogradi, por pa iu thënë se akuzohej ai drejtpërdrejt me emër. Kjo gjë del nga biseda që Spiru bëri në 19 nëntor,  të nesërmen e mbledhjes së Byrosë Politike ku u diskutua akuza jugosllave, me të ngarkuarin me punë sovjetik në Shqipëri, Gagarinov (ministri sovjetik Çuvahin gjendej në Bashkimin Sovjetik në atë kohë). Gagarinov i fundit i raporton Moskës në 19 nëntor 1947:
       Sot më bëri një vizitë Nako Spiru i cili erdhi me iniciativën e tij. Vështirë që këtë ta quash bisedë, më e drejtë do të ishte që këtë ta quaje monolog. Pas përshëndetjes, ai hyri drejt e në temë, duke theksuar se ai dëshironte të fliste për mbledhjen e djeshme të Byrosë Politike të KQ... Ministri njoftoi se «referues në atë mbledhje ishte Enver Hoxha, i cili parashtroi thelbin e deklaratave që ka bërë S. Zllatiçi dhe i quajti të drejta të gjitha akuzat e jugosllavëve dhe tërë përgjegjësinë për këtë e hodhi mbi mua duke përmendur pjesërisht F. Paçramin dhe dikë tjetër».
      Unë kisha të drejtë kur thashë se nuk kam qenë plotësisht i informuar për përmbajtjen e atyre njoftimeve të S. Zllatiçit. Pavarësisht se E. Hoxha dhe K. Xoxe patën biseduar disa herë me mua për këtë temë, ata e kanë mbajtur të fshehur nga unë faktin që jugosllavët e shtrojnë çështjen troç se unë jam frymëzuesi i tendencave antijugosllave në Shqipëri. Një gjë të tillë unë e mësova vetëm nga raporti i E. Hoxhës në mbledhjen e Byrosë.[lxiv]
       Në fragmentin e sjellë më lart nga kujtimet e Hoxhës ka dhe një detaj tjetër të rremë, por sinjifikues. Hoxha gënjen pjesërisht edhe kur thotë se, pasi Zllatiç komunikoi akuzën, atij i kanë shkuar në shtëpi së bashku Xoxe dhe Pandi Kristo. Këtë gjë Hoxha e bën për të fshehur të vërtetën se ka qenë Hoxha ai që, më tepër se Xoxe dhe Pandi Kristo i ka shkelur të gjitha rregullat në këto takime paraprake, para mbledhjes së Byrosë Politike. Në fakt ata të dy i shkuan në shtëpi veç e veç, duke shkuar në fillim Xoxe, çka duket më e besueshme, se Xoxe nuk donte që të dukej se në rastin e eliminimit të Spirut ai po vepronte si bllok në Byronë Politike. Xoxe në letrën që i çon nga burgu Komisionit të Posaçëm Hetimor, në 23 gusht 1949, rrëfen kështu për takimin e tij dhe të Pandi Kristos me Hoxhën, pasi Zllatiçi komunikoi akuzën, por para mbledhjes së Byrosë Politike:
       Që Nakoja ka thënë se «po të mos bindet (Enveri) e bind koburja», këtë e ka thënë Pandi, se ky ia ka bërë pyetjen: «Po mirë, po vallë do Enveri?». Në këtë rast ai i ka thënë këto fjalë. Kur bisedova herën e parë për të shtruar çështjen e brendshme me Enverin, unë nuk ia kam thënë këtë. Më të nesërmen, shoku Enver bisedon me Pandin mbi çka ne të dy, unë dhe shoku Enver kishim biseduar kundër Nakos. Në këtë rast duhet Pandi t’ ia ketë thënë Enverit, se menjëherë Pandi vjen tek unë dhe më thotë: «More Enveri i ka me gjithë mend ato që thotë apo mos bën komedi?» dhe «a i thotë të gjitha në këtë bisedë?» Pandi më thotë se Nakoja ka thënë edhe këtë në Berat. Unë, kur takohem me shokun Enver i them se Pandi më tha për ty se «a i kishe me gjithë mend apo bëje komedi?». I kam thënë edhe atë se Nakoja, siç më tha Pandi, ka thënë edhe atë për ty. Tani nuk e di me siguri se nga Pandi apo nga unë i dëgjoi për herë të parë Enveri, por çështja kështu ka ndodhur.[lxv]
      Pra, Xoxe e thotë qartë se ditën e parë ai dhe Hoxha janë takuar dhe kanë folur kundër Spirut, domethënë kanë rënë dakord që ta sulmojnë atë bashkarisht në mbledhjen e Byrosë Politike. Pastaj ata kanë rënë dakord që secili prej tyre të thërresë anëtarë të Byrosë Politike për t’ i përpunuar paraprakisht kundër Spirut. Ironikisht, Xoxe ka kërkuar që njeriun e tij më të afërt, Pandi Kristo, ta thërresë Hoxha. Kështu, të nesërmen Hoxha ka thirrur Pandi Kriston dhe ka folur me të. Pandi Kristo është habitur aq shumë kur ka dëgjuar Hoxhën që i bën një akuzë të tillë Spirut, saqë ka shkuar menjëherë tek Xoxe dhe i ka thënë se mos Hoxha po luante komedi. Në fakt Pandi Kristo kishte goditur në shenjë. Hoxha tekefundit po luante komedi, se kjo ishte e vetmja gjë që dinte të bënte ai. Madje edhe tash kur dukej qartë se drama e pushtetit kishte prirjen të shkonte drejt fundit tragjik edhe për të, veç Spirut. Pandi Kristo habitej se si Hoxha nuk e kuptonte që nëse Spiru shpallej armik, ai do të merrte me vete në varr edhe Hoxhën. Hoxha sigurisht që e kuptonte këtë, ashtu siç e kuptonin të gjithë të eliminuarit e elitës politike staliniane, të cilët kishin bashkëpunuar me xhelatët e tyre për të eliminuar shokët e tyre dhe pastaj pohimet e bëra me këtë rast u kishin shërbyer xhelatëve për t’ i eliminuar edhe ata vetë. Në rastin Hoxhës zbatimi i skenarit thjeshtohej për jugosllavët, se Hoxha kishte një sens të pamposhtshëm prej komediani. Jugosllavët po i thoshin Hoxhës se në rastin e eliminimit të Spirut, në dramën e pushtetit rolin tragjik do ta kishte Spiru dhe të tjerë, por jo Hoxha, i cili do të kishte thjesht një rol komik. Hoxha ishte gati ta luante rolin komik për të shpëtuar kokën. Pandi Kristo, me mendjen e tij të thjeshtë, kishte dhënë një shpjegim të saktë.
      Pandi Kristo, kur shkon të takojë Xoxen, pas takimit me Hoxhën, i tregon Xoxes edhe një histori nga koha e plenumit të Beratit, kur Spiru ka biseduar me Pandi Kriston paraprakisht për ta përpunuar kundër Hoxhës, saktësisht siç po bënte tash Hoxha me të, për ta përpunuar kundër Spirut. Atëherë Pandi Kristo, me thjeshtësinë e tij të të menduarit e ka pyetur Spirun se a do të bindej Hoxha t’ i pranonte akuzat që do t’ i bënin në plenum. Dhe Spiru i ka folur për armën si mjet të fundit të bindjes. Pandi Kristo e ka ruajtur këtë histori deri tash, qartësisht duke pasur frikë t’ ia tregojë edhe mikut të vet Xoxe. Pandi Kristo, edhe pse me kohë ka qenë në anën e Xoxes kundër Spirut, ka menduar me urtësi se një histori e tillë nuk duhej treguar para se të bëhej e qartë se Spiru do të eliminohej. Nëse do ta tregonte para kohe, mund të ndodhte që ta akuzonin për nxitje të armiqësisë në udhëheqje dhe ta eliminonin. Pandi Kristo e dinte mirë se nëse ai bënte ndonjë gjë që Xoxe do ta quante të dëmshme, ky i fundit nuk do të hezitonte ta sakrifikonte. Hoxha shkruan në kujtimet e veta për vazhdimin e historisë me Spirun:
       Aty nga mesi i nëntorit ne e thirrëm atë (ishim unë, Koçi Xoxe, Pandi Kristo), dhe e vumë në dijeni për akuzat e Zllatiçit.[lxvi]
      Ne tashmë e dimë nga fjalët e vetë Spirut se në këtë takim atij i kanë treguar akuzat në përgjithësi, pa e vënë në dijeni se ato i adresoheshin atij personalisht. Hoxha në kujtimet përkundrazi trillon sikur e vuri në dijeni Spirun se akuza i adresohet atij personalisht dhe e rrëfen kështu reagimin e këtij të fundit:
       Nakoja na dëgjoi serbes, ndezi qetë- qetë një cigare (zakonisht me atë që mbaronte ndizte cigaren e radhës) dhe, kur mbaruam, për habinë time, pasi lëshoi një shtëllungë tymi përpjetë tha:
-Ashtu? Dhe ju qenkeni tronditur?! Për dy javë jua bëj unë krejt Shqipërinë projugosllave!
Kaq herë, në 7- 8 vitet që e njihja, isha zemëruar e deziluzionuar prej tij (siç edhe isha gëzuar nga anët e mira), kaq herë, krahas fjalëve të mira, i kisha bërë vërejtje e kritika nga më të ashprat, por tronditja dhe deziluzioni që pësova pas kësaj batute, ishin nga më të fuqishmet.
-Si guxon e flet kështu?- i thashë pa e përmbajtur veten.- Ç’ është sipas teje, kjo Shqipëri që ti për dy javë na e ktheke në «projugosllave» ose në «antijugosllave»?! Dhe kush je ti që qenke në gjendje të na bësh të tilla çudira?[lxvii]
      Hoxha i ka trilluar këto fjalë të Spirut në mënyrë që të shfajësohej për faktin se ai do të bashkohej me ata që e dënuan Spirun. Por Hoxha, ku ka trilluar sikur e ka vënë në dijeni paraprakisht Spirun se akuza i adresohej atij personalisht, ka bërë një gabim vetëshkatërrues, ku ka harruar të shtojë një detaj. Hoxha thotë për takimin paraprak me Spirun:
       Vazhduam kështu disa orë e, pas kësaj, u la ta shtronim problemin në Byro të nesërmen.[lxviii]
      Hoxha nuk thotë se Spiru në këtë takim paraprak kërkoi që të shtyhej mbledhja e Byrosë Politike, gjë që ai do ta kërkonte me të madhe ditën e nesërme në mbledhje, si dhe të pasnesërmen, para mbledhjes që ishte caktuar atë mbrëmje, si dhe gjatë asaj mbledhjeje, dhe përsëri të nesërmen para mbledhjes tjetër, ku ai nuk do të merrte dot pjesë. Nuk kishte kuptim që Spiru të mos e bënte këtë kërkesë nëse do ta kishin thirrur për një bisedë pra mbledhjes së Byrosë Politike, ku i kishin komunikuar akuzën jugosllave dhe i kishin thënë se ajo do të diskutohej në mbledhjen e Byrosë Politike ditën e nesërme. Qartësisht, Spiru nuk është njoftuar në takimin paraprak se akuza i adresohej atij personalisht.
      Por në takimet Zllatiç-Hoxha-Xoxe që i paraprinë shqyrtimit në mbledhjen e Byrosë Politike të akuzës jugosllave, nuk u vendos vetëm eliminimi i Spirut, por edhe ai i Spahiut. Hoxha kishte rënë dakord për këtë gjë se mbledhja e Byrosë Politike e 18 nëntorit, ku u shqyrtua akuza jugosllave për Spirun u hap kështu:
       Komandanti (Enver Hoxha) çel mbledhjen dhe thotë: Për arsye të rëndësisë së çështjes e për diçka që do të shtrojmë ne me Koçin në një mbledhje tjetër, Bedriun nuk e kemi thirrur në këtë mbledhje. Kështu mendojmë unë e Koçi.[lxix]
      Legjitimiteti i mbledhjes dhe i vetë Byrosë Politike, edhe nga pikëpamja e rregullave të partive komuniste, shkatërrohet që pa filluar mirë mbledhja, derisa dy anëtarë të Byrosë Politike kanë marrë vendim që një një anëtar i Byrosë Politike të përjashtohet nga mbledhja e Byrosë, kur këtë të drejtë nuk e ka as vetë Byroja Politike, por vetëm plenumi i Komitetit Qendror të partisë. Hoxha dhe Xoxe, ndërsa e kanë thirrrur Byronë Politike për të dënuar një anëtar të saj, Spirun, paralajmërojnë që në fillim të mbledhjes goditjen e një anëtari tjetër të saj, Spahiut. pas shpinës së Byrosë Politike. Askush nga të pranishmit në mbledhje nuk bën vërejtje për këtë dhunim të rëndë të rregullave. Hoxha kishte shitur edhe shokun e vet të fëmijërisë nga Gjirokastra, Spahiun. Spahiu ishte përzgjedhur nga jugosllavët që të dilte në bankën e të akuzuarve së bashku me Spirun. Në fakt edhe kjo dukej se ishte një parapërgatitje për goditjen e Hoxhës, pasi Spahiu ishte shoku i fëmijërisë i Hoxhës nga Gjirokastra dhe shihej tekefundit si njeriu i këtij të fundit. Në mbledhjen e Byrosë Politike, të datës 18 nëntor 1947, ku u diskutua akuza jugosllave, Hoxha, që në fillim të mbledhjes e mbështeti akuzën jugosllave, duke thënë:
       Qëndrimi ynë tregon qëndrimin antijugosllav dhe këtë duhet ta shikojmë se mos ka gisht armiku; duhet shikuar çështja në thellësi.[lxx]
      Xoxe shprehet në të njëjtën linjë, por duke u lëshuar një sinjal të vetëve që kritika të zgjerohej përtej Spirut:
       Duhet shikuar se cilat janë shkaqet që mbërritëm në këtë gjendje dhe pse Nakoja i ka dhënë këtë frymë.[lxxi]
       Hoxha, i cili i ka interpretuar në mënyrën e vet këto fjalë, e mbështet Xoxen, duke thënë:
       Shfaq mendimin e përbashkët me Koçin se fjalët e thëna prej shokëvet jugosllavë janë të peshuara. Ne duhet të diskutojmë dhe të mbajmë qëndrimet tona.[lxxii]
      Por Kristo Themelko, njeriu i Xoxes, duke e kapur sinjalin e këtij të fundit, dhe siç do të duket nga fjalët e tij, i instruktuar  paraprakisht tha:
       Duke folur shumë për Bashkimin Sovjetik dhe teknikët sovjetikë, kemi krijuar një përbuzje karshi Jugosllavisë dhe jugosllavëve dhe jemi shkëputur prej tyre, këtu ka qenë dhe qëllimi i armikut. Unë di se BS, Molotovi ka thënë se marrëdhëniet tona do të jenë me Jugosllavinë dhe ndihmën do na e japin nëpërmjet saj. Ne kemi bërë një gaf të madh.  Nuk i kemi zbatuar udhëzimet që na janë dhënë. Vajtja e Nakos me delegacion në Moskë, në kohën kur ishte çështja e planit, tregon se me këta jugosllavët nuk bëhet gjë. Unë këtë s’ e kam gjetur me vend, edhe delegacionin që vajti në Moskë më vonë, me qëllim që të sqaronte çështjet politike, ekonomike ushtarake etj. Këtu ishim të sqaruar, kish dijeni edhe Mareshali Tito. Ky është përfundimi i vijës sonë.[lxxiii]
      Duket se Kristo Themelko ishte i instruktuar që të plotësonte akuzën e jugosllavëve, duke thënë ato gjëra që jugosllavët nuk mund t’ i thoshin në letrën e tyre, por që duhej të dilnin sikur qenë thënë nga anëtarët e Byrosë Politike në Tiranë. Fjala ishte për t’ i paraqitur gjërat sikur në udhëheqjen shqiptare kishte një rrymë e cila donte të nxiste armiqësinë mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë. Kristo Themelko, si njerëz që kanë bërë këtë politikë, përmend jo vetëm Spirun, por edhe vetë Hoxhën, derisa flet dhe për vizitën e këtij të fundit në Moskë. Por ishte ende herët që jugosllavët t’ i zbulonin të gjitha letrat. Tash fjala ishte që të dënohej Spiru, ndërsa të tjerat do të vinin më pas.
      Pas fjalëve të Kristo Themelkos ndërhyn Hoxha dhe thotë:
      Nakos i bie të flasë.[lxxiv]
     Përgjigjia e Spirut jepet e perifrazuar në proces-verbalin e mbledhjes, por del qartë:
      Nakoja thotë se, meqë ka të bëjë me të, kërkon të shtyhet mbledhja për nesër mbrëma.[lxxv]
      Më në fund pranohet që Spirut t’ i jepen 24 orë kohë, dhe Hoxha e mbyll mbledhjen me këto fjalë (në procesverbal jepen të perifrazuara):
       U rekomandon shokëve rëndësinë e problemit, ndihmën e madhe që jep Jugosllavia me këtë rast dhe interesimin e shokëve për t’ u thelluar në problemin.[lxxvi]
      Të nesërmen Spiru shkoi dhe u takua me të ngarkuarin me punë sovjetik, Gagarinov, siç e kam cituar më lart në këtë libër raportin e këtij të fundit për Moskën. Gagarinov nuk u prononcua për ato që i tha Spiru se çështja ishte delikate. Në fakt sovjetikët mund të ndërhynin për arbitrim vetëm nëse do t’ u vinte një kërkesë zyrtare me firmën e Hoxhës, çka do t’ u jepte sovjetikëve mundësinë që të justifikonin ndërhyrjen e tyre para jugosllavëve. Ndryshe këta të fundit do t’ i fajësonin sovjetikët se nxisnin antijugosllavizmin tek udhëheqësit shqiptarë. Shpëtimi i Spirut ishte në Legatën sovjetike, por që ajo të vihej në lëvizje duhej dora e Hoxhës. Pikërisht për këtë arsye duket se Spiru ka shkuar në shtëpinë e Hoxhës, pas takimit që pati me diplomatin sovjetik. Hoxha shkruan në kujtimet:
       Afër mesditës trokiti dera dhe hyri Nako Spiru. Ishte i tronditur, i rënë e i këputur në çdo pikëpamje.
-Desha t’ ju lutem edhe një herë,- më tha.- Kuptoni situatën time të rëndë. Influenconi të më jepen 5 ditë kohë…
-Atë,- i thashë,- nuk e vendos unë, e vendosi Byroja.[lxxvii]
      Ajo që priste Spiru nga Hoxha nuk ishte thjesht që t’ i jepin kohë, se ai nuk kishte çfarë ta bënte gjatë kësaj kohe. Ajo që i duhej Spirut ishte që Hoxha t’ i drejtohej zyrtarisht Legatës Sovjetike me një kërkesë që Moska të arbitronte çështjen si një mosmarrëveshje mes Tiranës dhe Beogradit. Në këtë rast diskutimi në Byronë Politike do të pezullohej në ndërkohë Spiru do të ishte i mbrojtur. Në mbledhjen e Byrosë Politike një ditë më parë Spiru e kuptoi se Hoxha tashmë e kishte shitur atë. Spiru e kishte të qartë se çfarë e priste. I ngarkuari me punë sovjetik Gagarinov i raporton Moskës se Spiru i ka thënë për për akuzën që i ishte bërë:
       «Një gjë e tillë më kërcënon me vdekje. Në shqipen tonë kjo do të thotë se unë qenkam armik», deklaroi N. Spiru.[lxxviii]
      Në këtë rrethanë Spirut i mbetej të bënte vetëm një gjë, t’ i zhdukte Hoxhës iluzionet të cilat ia kishte krijuar Zllatiç se do të shpëtonte, si në plenumin e Beratit, nëse shiste shokët e vet, këtë herë Spirun dhe Spahiun. Spiru, për të cilin Hoxha thotë se ishte ironik, i ka thënë këtij pak a shumë:
      Ty Enver të gënjen mendja se edhe këtë herë do të shpëtosh si në plenumin e Beratit, kur shite Liri Gegën dhe Ramadan Çitakun, dhe vetë ia hodhe me një autokritikë? E pra, dije se këtë herë gjërat janë shumë më ndryshe. Atëherë Liri Gega, Ramadan Çitaku dhe ti akuzoheshit për sektarizëm, ndërsa sot unë akuzohem se jam një agjent i britanikëve dhe amerikanëve, që ka kryer veprimtari antijugosllave dhe antisovjetike. Kjo do të thotë që mua të më arrestojnë dhe të më çojnë në birucat e Sigurimit ku mjeshtrat e Koçi Xoxes do të më detyrojnë që të pohoj se jam agjent i spiunazhit britanik, amerikan, grek, se më kanë rekrutuar grekët kur kam qenë në shkollë në Korfuz dhe pas tyre edhe britanikët, se më kanë rekrutuar italianët dhe ndoshta edhe gjermanët. Në fund do të shtojnë edhe amerikanët për të cilët ndoshta do të thonë se më kanë rekrutuar me anë të kapiten Thomas Stefanit të OSS i cili ka qenë me ne gjatë luftës. Me të gjitha këto akuza do të shkoj në rrugën e gjyqit dhe dënimit me vdekje. Por derisa unë të shkoj në gjyq dhe në pushkatim, i dashur Enver, do të ndodhin edhe gjëra të tjera. Në këtë moment do të më ofrojnë që të më falin jetën, me kusht që unë të të akuzoj ty si bashkëpunëtor. Se është e qartë, shoku Komandant, se për të gjitha ato që më akuzojnë mua, të bëjnë përgjegjës edhe ty. E di ti, se përse nuk po ta përmendin emrin ty bashkë me mua që në këtë moment? Se duan që të jesh ti ai që do të dënosh mua në Byronë Politike, se duan që të pranosh përgjegjësinë dhe të bësh autokritikë. Pastaj kur unë të jem në birucat e Koçi Xoxes, të Sigurimit të Shtetit, mua do të më detyrojnë që të pohoj se edhe ti je agjent i britanikëve dhe amerikanëve, madje shefi i konspiracionit. Madje nuk do të kenë nevojë që të më detyrojnë për këtë gjë, se unë do ta bëj me kënaqësi. Kështu do ta shpërblej që më shite në pazarin me Zllatiçin. Si i thonë fjalës, të gjitha shpërblehen në këtë botë. Dhe unë nuk do të iki nga kjo botë pa të shpërblyer, të jesh i bindur për këtë. Enver, zgjohu nga hipnoza që të ka bërë Zllatiçi dhe kuptoje se fati ynë është i lidhur. Ne do të jetojmë ose do të vdesim bashkë. Enver, kur bëmë aleancën bashkë në vitin 1946, ti më kërkove që të mbështesja për revizionimin e plenumit të Beratit. Por, ç’ ishte plenumi i Beratit. Në formë ishte një gjë e ngjashme me këtë që po ndodh sot. Në Berat Stoiniçi u bë gjykatësi ynë. Sot është e njëjta gjë, veçse në vend të Stoiniçit është Zllatiçi. Sot është rasti që të marrë fund një herë e mirë fryma e Beratit dhe ti e ke në dorë ta bësh këtë. Mjaft që ti të thuash në Byronë Politike se një çështje kaq e rëndësishme si akuza që bën PKJ nuk mund të zgjidhet kaq thjesht dhe se duhet kërkuar gjykimi i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Unë do të ta lehtësoj punën duke thënë se do të pranoj çdo gjykim të shokëve sovjetikë. Unë e kuptoj se edhe ty të duhet kohë për t’ u menduar për këtë propozim, prandaj unë sot do të kërkoj pesë ditë kohë në mbledhjen e Byrosë Politike, më tepër për ty se për mua, se unë nuk kam çfarë të pres, nëse nuk vepron ti.   
      Kështu duhet të ketë folur Spiru! Hoxha që nga dita e djeshme kishte filluar ta shikonte Spirun si një të vdekur që ecën, si një zombie. Tashmë ky zombie i kishte ardhur në shtëpi dhe e kërcënonte se do ta merrte me vete në varr. Spiru u largua nga shtëpia e Hoxhës duke i thënë se nuk kishte çfarë t’ i thoshte më tjetër dhe se pas kësaj i takonte atij që të zgjidhte çfarë do të bënte në mbledhjen e mbrëmjes. 
      Pse i duhet Hoxhës që të përmendë në kujtimet faktin që Spiru ka qenë në shtëpinë e tij në ditën mbrëmjen e së cilës ai do të vdiste, kur fare mirë Hoxha mund të mos e kishte thënë fare këtë gjë? Hoxha e bën këtë se një nga synimet e kujtimeve që shkruan ai është që të bëjë alibinë e vetvetes. Shumë vetë kishin qenë dëshmitarë të faktit që Spiru, në ditën që u gjend i vrarë kishte hyrë në shtëpinë e Hoxhës, dhe ata kishin folur e zërat qenë përhapur gjithandej, kështu që Hoxha e ndjente të nevojshme të jepte disa shpjegime për këtë takim, gjë që e bën në kujtimet e veta.
      Në mbrëmjen e asaj dite, në 19 nëntor, në orën 20 ²º, sipas orarit nokturn kremlinian, fillon mbledhja e Byrosë Politike ku duhet të flasë Spiru. Ky thotë që në fillim të mbledhjes:
       Kjo është një çështje mjaft e rëndësishme dhe nuk jam i përgatitur. Unë mendoj që të kem 4-5 ditë kohë. Duhet të më kuptoni, nuk është çështja për mua, është përgjithë Partinë. Unë dua të përgatitem që të jap gjithçka që mund për të sqaruar çdo gjë.[lxxix]
      Hoxha, për pezmin e madh të Spirut nuk e mbështet atë
       Shoku Nako erdhi te mua si sekretar i Partisë, të bisedojë për disa çështje dhe kërkoi një afat prej pesë ditësh. Kjo çështje është e madhe dhe, kështu si e vënë jugosllavët, një rol të çuditshëm ka luajtur Nakoja, që do të thotë se ai ka tradhtuar interesat e popullit e të Partisë. «A mendoni ju se unë kam tradhtuar?», pyeti ai. Unë iu përgjigja se nuk jam dakord për me dhënë një afat tjetër për këtë që biseduam mbrëmë kur dhamë 24 orë. Sa për çështjen tjetër, a ka tradhtuar apo jo, atë do ta zgjidhim në diskutimet, në kuptimin që i japin jugosllavët frazës me të.[lxxx]
      Këtu shihet qartë se Enver Hoxha shfajësohet për atë që Spiru ka qenë atë ditë në shtëpinë e tij. Të njëjtin mendim si Hoxha, pra se Spirut nuk duhet t’ i jepet më tepër kohë, por duhet të flasë po atë mbrëmje, shprehin dhe Xoxe, Kapo, Gogo Nushi, Jakova, Pandi Kristo, Kristo Themelko. Në mbledhjen e Byrosë Politike nuk janë lejuar të marrin pjesë tre kandidatët, që qenë njerëzit e Spirut, Belishova (gruaja e Spirut), Shehu dhe Fadil Paçrami, edhe pse dy prej tyre, Shehu dhe Fadil Paçrami, u atakuan me emër në mbledhje, nga ana e Kristo Themelkos. Kjo qe një tjetër shenjë se qe përgatitur eliminimi i Spirut, duke u marrë masat që ai mos të kishte asnjë mbështetje. Nga ato që thonë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike është e qartë se ai dhe të tjerët duan që të mbarojnë punë me Spirun që atë natë, duke e shpallur tradhëtar. Fjala e Spirut kërkohej vetëm sa për t’ u bërë rituali, në mënyrë që të jepej verdikti politik ndaj Spirut.Pasi të gjithë insistojnë që Spiru të flasë, ky i fundit bën diçka që i jep mbledhjes nota komike, refuzon të flasë. Kjo qe një herezi e vërtetë për dogmën komuniste, sipas së cilës komunisti duhej t’ i nënshtrohej gjykimit të forumeve të partisë, edhe kur dukej qartë se gjithçka qe e njëjtë me procesin nëpër të cilin kalonin bagtitë në thertore. Prandaj Xoxe shprehet me indinjatë të sinqertë:
       Ngjarje më të madhe në Partinë tonë se ky qëndrim i Nakos që nuk flet nuk ka.[lxxxi]
      Më në fund, për të dalë nga kjo situatë, komike, por edhe, siç e tregoi koha, për të gjetur Hoxha një zgjidhje, më praktike, u vendos që t’ i jepeshin Spirut edhe 24 orë kohë, deri në orën 20ºº të datës 20 nëntor 1947. Të nesërmen paradite, Spiru shkoi përsëri tek Hoxha dhe i kërkoi, sipas këtij të fundit, një tjetër zgjatje të afatit, por ky përsëri refuzoi. Në fakt Spiru nuk mund të ketë shkuar për tjetër gjë përveçse për t’ i kujtuar Hoxhës për herë të fundit se fati i tyre ishte i lidhur. Këtë herë Hoxha e ka marrë një vendim dhe ka bërë një plan se si të shpëtojë nga rreziku që përbën Spiru për të. Hoxha i thotë Spirut se ai ka të drejtë, fati i tyre ishte i lidhur dhe i propozon një plan, për të fituar kohë, derisa Hoxha të mund të punonte mbi idenë e Spirut. Plani i Hoxhës ishte që Spiru të shtiret i sëmurë, dhe të shtrohet për disa ditë në spitalin ushtarak, ku mund të ishte i sigurt se në ushtri dominonin njerëzit e Hoxhës dhe të mikut të Spirut, Shehut. Hoxha do të thoshte në mbledhjen e Byrosë Politike se meqënëse Spiru ishte i sëmurë, i duhej që ta shtynin mbledhjen disa ditë. Por Hoxha i tha se, që gjërat të dukeshin të besueshme, ai do t’ i thoshte Ramiz Alisë (një nga anëtarët e Komitetit Qendror të Rinisë) që të vinte si rastësisht në zyrën e tij duke pasur me vete një instruktor jugosllav të rinisë, që do të bëhej dëshmitar i sëmundjes së papritur të Spirut, dhe pastaj t’ ia tregonte ngjarjen Zllatiçit. Prandaj Hoxha i tha Spirut që në mbrëmje të presë në zyrë që të vihej në zbatim plani. Spiru e pranoi planin e Hoxhës.
      Në mbrëmje, disa minuta para orës 20ºº, kur do të fillonte mbledhja e Byrosë Politike, Spiru u gjet i vrarë në zyrën e vet. Është interesante se Hoxha nuk e konsideron fare pistën se Spirun mund ta kenë vrarë, por e merr si të mirëqenë vetevrasjen e tij dhe e shpjegon kështu:
       Por do të vërtetohej më pas se pala tjetër, jugosllavët, vepruan me ngut dhe ishin ata që e çuan Nako Spirun në aktin e ulët e të pafalshëm që kreu. Të sinjalizuar nga Koçi Xoxe se Nako Spiru mund të hapte në Byro gjithë fijet e komplotit që kishte nisur në Berat e vazhdonte të vepronte, jugosllavët i vunë Nakos përpara dokumentet agjenturore, ku ky shprehej kundër Partisë sonë dhe kundër meje. Nakoja në situatën e rëndë që ndodhej, duke gjykuar si mikroborgjez, mendoi se do të humbiste edhe përkrahjen time dhe e pa veten në një rrugë pa krye.[lxxxii]
      Shkaqet që sipas Hoxhës e çuan Spirun në vetëvrasje, nuk duken bindëse. Letra e famshme e Spirut adresuar Titos, ku bëhej portreti i Hoxhës, nuk mund të kishte këtë efekt se ajo ishte shkruar në kohën që Hoxha dhe Spiru qenë kundërshtarë. Hoxha nuk kishte iluzione për mendimin që kishte Spiru për të. Ajo që i kishte afruar Hoxhën me Spirun qe filozofia «Armiku i armikut tim, është miku im». Derisa Spiru qe armiqësuar me Xoxen, ai qe bërë miku i Hoxhës. Jugosllavët nuk mund të kishin frikë se mos Spiru zbulonte të ashtuquajturin komplot të Beratit, siç thotë Hoxha, se në Berat kundër Hoxhës nuk u bë gjë tjetër, posë asaj që po bëhej tash kundër Spirut, me bashkëfajësinë edhe të Hoxhës. Në Berat, vetë Hoxha, në autokritikën që pati bërë me porosinë e jugosllavëve, tha për vetveten gjithçka që duhej për ta shkarkuar dhe dënuar në një parti komuniste që funksiononte sipas rregullave. Në fakt në Shqipëri kishte vetëm një komplot jugosllav të organizuar që në 1941 dhe ku pjesëmarrës ishte edhe vetë Hoxha. Nëse Spiru do të sillej në mbledhjen e Byrosë Politike, siç thotë Hoxha, pra do të shprehej se kishte qenë pjesëmarrës i një komploti të organizuar nga jugosllavët, atëherë Xoxe dhe të vetët do të reagonin duke e quajtur këtë shpifje dhe provë përfundimtare të antijugosllavizmit të Spirut. Nëse Spiru vepronte kështu, ai do të arrestohej drejtpërdrejt në mbledhjen e Byrosë Politike. Versioni i ngjarjes që jep Hoxha më lart duhet lexuar i përmbysur, pra se nuk qenë jugosllavët, por ai vetë, i cili duke pasur frikë se mos Spiru bënte pohime kompromentuese për të, duke e implikuar në një komplot, veproi me ngut dhe e vrau atë. Spiru i arrestuar ishte po aq i rrezikshëm sa Omari. Hoxha e tregon kështu marrjen e lajmit për vdekjen e Spirut:
       hapet dera me vrull e brenda vjen Koçi Xoxe:
-Të kam thënë,- thirri ai, -ai është armik, i poshtër. Ia hoqi vetes e mbaroi si qentë. Tani vërtetoi se ka qenë armik e shkuar armikut!
-Kush?- e pyeta.-Si është puna?
-Nako Spiru vrau veten. Mbaroi ashtu si e meritonte!.[lxxxiii]
      Vendi ku u tha se vdiq Spiru ishte jo më shumë se 100 metra larg shtëpisë së Hoxhës. Gjithsesi, dikush nga ndërtesa ku vdiq Spiru, do të kishte telefonuar në shtëpinë e Hoxhës, ku ishte ky i fundit, dhe ku e gjeti Xoxe. Kështu që Hoxha nuk mund të mos e kishte marrë vesh në kohën që i erdhi në shtëpi Xoxe. Teksti i mësipërm i Hoxhës duhet lexuar i përmbysur, pra se është ai që ndjen një gëzim të brendshëm të thellë kur Xoxe i flet me trishtim për vdekjen e Spirut, me të cilin Xoxe donte të bënte gjyq e parë të madh stalinian në Shqipëri. Hoxha për asnjë moment nuk bën hipotezën se Spirun mund ta ketë vrarë Xoxe. Kuptohet se përse. Hoxha e di se në këtë rast duhet të shpjegonte se ç’ arsye kishte Xoxe për të vrarë Spirun. Çdo njeri që do të lexonte një gjë të tillë nuk mund të mos mendonte se Hoxha ishte ai kishte vërtet interes që Spiru të vdiste atë natë. Hoxha kur rrëfen episodin e ardhjes së Xoxes për t’ i dhënë lajmin e vdekjes së Spirut, e komenton kështu sjelljen e Xoxes:
       Fliste me një zemërim të tillë ku s’ ishte vështirë të dalloje një gëzim të brendshëm, të thellë. Kishte ikur nga skena e komplotistëve pengesa e vetme për t’ u drejtuar shigjetat kundër meje.[lxxxiv]
      Hoxha në të vërtetë këtu projekton gëzimin e vet të brendshëm tek tjetri. Me vdekjen e Spirut nuk kishte zhdukur pengesa e vetme për t’ i drejtuar shigjetat kundër tij, por ishte zhdukur njeriu që do të detyrohej ta drejtonte shigjetën kundër tij. Xoxe në mbledhjen e Byrosë Politike, në 1 janar 1948 tregon një episod me Shehun natën e vdekjes së Spirut:
       kur vdiq Nakoja dhe shkuam ta shihnim në spital, ai na u përgjigj, si i tha Kiços (Kiço Ngjela- K.M.): «Le ta shërojnë ata që e vranë».[lxxxv]
      Nëse Xoxe do të ishte vrasësi, nuk do të fliste kështu. Spirun e vrau Hoxha për të evituar që të tërhiqej në varr nga Spiru. Në mbrëmjen e 20 nëntorit (rreth orës 20 në atë kohë të vitit është natë), Spiru ishte në zyrën e vet- është thënë në zyrën që kishte në ndërtesën e Komisionit të Planit të Shtetit dhe priste të dërguarin e Hoxhës. Ndërtesa është ende edhe sot në krah të ndërtesës që sot është selia e Kuvendit, prapa kullave binjake. Ky është versioni zyrtar. Por ka dhe një version tjetër më bindës sipas të cilit Spiru është vrarë në zyrën e vet, por jo në këtë ndërtesë. Spiru kishte edhe një zyrë tjetër në selinë e organizatës së rinisë, ku ai qe sekretar i përgjithshëm, e cila gjendej atje ku është sot korpusi qendror i universitetit publik të Tiranës, në krye të bulevardit të madh të Tiranës, një ndërtesë e ngritur në kohën e pushtimit italian, si selia e Fashios. Duket më bindëse që Spiru në atë mbrëmje fatale të tensionuar të priste njeriun e Hoxhës në zyrën e tij, në ndërtesën që i ngjante një fortese, i rrethuar nga pretorianët e tij të organizatës së rinisë. Madje thuhej se Spiru dy netët e fundit nuk kishte fjetur në shtëpi, por në zyrën e tij në selinë e organizatës së rinisë. Zyra e Spirut, e projektuar për një udhëheqës fashist, ishte e përbërë nga dhomë dhe paradhomë dhe si shumica e zyrave që ndërtohen në funksion të manovrave të politikës së lartë, kishte dy dyer nga dy drejtime të ndryshme. Në këtë mënyrë, në zyrë mund të hynin e të dilnin personat që donte i zoti i zyrës, pa u marrë vesh nga njerëzit që gjendeshin në korridoret ku qe dera kryesore e zyrës. Të njëjtën gjë mund të bënte edhe i zoti i zyrës.
      Për versionin e vrasjes së Spirut që do të jap më poshtë, nuk mund ta jap burimin e informacionit në mënyrë eksplicite, por lexuesi le ta marrë si një të dhënë alternative. Gjithsesi burimi është jashtëzakonisht serioz, siç do t’ i jap lexuesit të kuptojë më tutje në këtë libër. Në mbrëmjen e datës 20 nëntor në ndërtesë kishte pak njerëz. Pjesa më e madhe e tyre qenë pretorianët e Spirut. Rreth orës 20 në zyrë hyri nga dera dytësore i dërguari i Hoxhës, Ramiz Alia. Ky ishte edhe njeriu i besuar i Spirut në organizatën e rinisë. Ramiz Alia i tha se ai pas pak do të hynte me instruktorin jugosllav, prandaj Spiru duhet të shtrihej në divanin e zyrës dhe të thoshte se nuk e ndjente veten mirë. Ramiz Alia do të thërriste për ndihmë dhe pastaj disa njerëz të paracaktuar do ta merrnin dhe do ta çonin me automobil në spital. Spiru bëri si i thanë dhe me humorin e tij të zakonshëm, mbylli sytë duke thënë se ndihej shumë keq. Në këtë moment Ramiz Alia nxorri një revolver me silenciator (në atë kohë kishte të tillë) nga brenda pardesysë, e qëlloi me dy plumba në zemër, dhe hodhi në dysheme pranë tij një revolver. Pastaj Ramiz Alia doli përsëri nga dera dytësore dhe u largua nëpër korridore. Në këtë moment u dëgjua një krismë pranë zyrës së Spirut dhe u dha alarmi. Njerëzit hynë me vrap atje dhe e gjetën Spirun të shtrirë në divan, të përgjakur. Ndërmjet tyre ishte dhe Ramiz Alia tek i cili nuk dyshonte kurrkush, se qe një nga bashkëpunëtorët e afërt të Spirut. Pas pak u hap fjala se u vra Spiru dhe u bë alarm në selinë e Komisionit të Planit të Shtetit, ku në fakt Spiru kishte qenë deri pak kohë më parë. Ai kishte hyrë nga dera kryesore dhe kishte dalë nga dera e pasme, kështu që njerëzit e pakët të cilët qenë në ndërtesë në atë mendonin se ai ishte brenda, aq më tepër që Spiru e kishte lënë dritën e zyrës ndezur, me sa duket për të konfonduar njerëzit e Xoxes që e survejonin. Njerëzit të cilët qenë në ndërtesë hynë në zyrën e tij, por nuk gjetën njeri atje. Më pas, u sajua legjenda sikur Spiru u gjet i vrarë pikërisht në zyrën e tij në këtë ndërtesë. Kuptohet se përse. Kështu binte versioni i vrasjes se këtu vrasësi nuk kishte asnjë mundësi që të largohej i pazbuluar. Sa për atë që është thënë se Spiru është vrarë nga bashkëpunëtorët e tij këtu, duke u përmendur Kiço Ngjela dhe të tjerë, kjo duket e pabesueshme se Kiço Ngjela ishte mbështetësi i Xoxes, gjë për të cilën do të kritikohej në Kongresin I të PKSH, dhe Xoxe nuk kishte interes të organizonte vrasjen e Spirut.
      Ramiz Alia ishte vrasësi personal i Hoxhës. Ismail Kadare në romanin «Lulet e ftohta të marsit»(2000) do ta akuzonte Ramiz Alinë se kishte kryer drejtpërdrejt vrasje për llogari të Hoxhës. Në këtë roman, Ismail Kadare shkruan: 
       Në prill të tetëdhjetë e pesës, tri ditë pas vdekjes së diktatorit, zëvendësi i tij, të nesërmen e zgjedhjes në postin e lartë, gjëja e parë që bëri ishte një udhëtim i fshehtë në B…Grupi i vogël nga Tirana mbërriti në orën dhjetë të mbrëmjes dhe, pa u ndalur fare në qytet, shkoi drejt e në Arkiv.
      -Atje…-tjetri jo vetëm që e uli zërin edhe më, por Markut iu duk se po i jepte tonin nanuritës të një rrëfimi. -Atje shefi i ri i Shqipërisë, kërkoi diçka gjer më tre të mëngjesit…Ç’ të kishte kërkuar vallë në atë gërmajë shefi i shtetit? Një kumt, një dosje të fshehtë, ndoshta dosjen-kurth të tij? Flitej se diktatori, sa më shumë plakej, aq më fort i lidhte anëtarët e Byrosë Politike me gremça të tillë. E në qoftë se ai i kishte mbërthyer me dosje shantazhi të tjerët, pasardhësin e tij do ta kishte lidhur dyfish, trifish…Ishte një copë përralle pa dyshim, nga ato që s’ dihej kurrë me saktësi, ku i kishe dëgjuar a lexuar për herë të parë: ai, sunduesi i ri, jetonte në pallat të lartë, në kryeqytet, por shpirtin e vet, fuqinë e fshehtë, palcën e tij, e kishte të mbyllur në një arkëz, fshehur diku, midis malesh të lartë…Qëndroi në kthinë gati tre orë. Kur doli fytyrën e kishte të prerë. Pa thënë asgjë iku i ndjekur nga rojet. Ora duhej të ishte tre e mëngjesit».[lxxxvi]
      Më tutje në librin e Kadaresë tregohet për një hetim që bëhet në vitet nëntëdhjetë për këtë çështje:
       Keni dëgjuar për ca fotografi të çuditshme, desha të them të tmerrshme, që gjenden brenda dosjeve të kthinës së Lakuriqit?
Jo, zotni.
Mos m’ i hiqni sytë...Keni dëgjuar për anëtarë të Byrosë Politike të fotografuar me revolverë në dorë, duke shtirë plumbin e fundit mbi trupin e shtrirë përdhe të kolegut të tyre, ish anëtar i Byrosë Politike? Përgjigjuni!
Jo, zotni.
Keni parë ish-shefin e porsaemëruar të shtetit të fotografuar me revole në dorë, duke shtirë mbi trupin e një ish-anëtari të Byrosë Politike?
Oh, jo.
E keni parë ta kërkonte pikërisht atë fotografi atë natë prilli në arkiv? Ky është shansi juaj i fundit, përgjigjuni!
Oh, të isha mbytur më mirë në Kanal të Otrantos.[lxxxvii]
      Është e qartë se këtu kemi të bëjmë me më tepër sesa me fantazi letrare. Këtu Kadare bën fjalë për një person real. Kryetari i shtetit shqiptar që shkon në Arkivin sekret në prill 1985, pak ditë pas vdekjes së paraardhësit, Hoxhës, është Ramiz Alia. Historia që tregon Kadare nuk është krejt fantazi sepse atëhere është përfolur një ikje e Ramiz Alisë drejt vendeve sekrete të regjimit, në ditët fill pas vdekjes së Hoxhës, në një provincë të Shqipërisë ku mbahej arkivi sekret i regjimit, pas të gjitha gjasave për të parë se deri ku shkonin gjurmët e kompromentimit të vet. Dhe dalja e Ramiz Alisë me fytyrë të prerë nga arkivi shpjegohet me atë se ai e gjeti atje atë që dyshonte, por nuk ia vlente që ta zhdukte, pasi qe depozituar edhe diku tjetër, me siguri jashtë vendit, pasi qe parashikuar që ai do të shkonte ta kërkonte që ta zhdukte. Ismail Kadare, këtu, po e akuzonte Ramiz Alinë se ai kishte qenë vrasësi personal i Hoxhës, në kohën që të dy kishin qenë në pushtet. Ramiz Alia, i cili disa herë më parë u ishte përgjigjur akuzave të Kadaresë, për këtë akuzë ka heshtur tash nëntë vite qëkurse ajo i është bërë. Fjalët e mësipërme të Kadaresë tregojnë se ai ishte në dijeni për një arkiv supersekret të regjimit komunist, kopje të materialeve të të cilit si dokumente, audioregjistrime, filma etj., u depozituan në një bankë në Vienë, ku gjithsesi shërbime të caktuara perëndimore nuk e kishin të vështirë të siguronin kopje të këtyre kopjeve. Një ditë kjo histori do të zbulohet, ndoshta jo në këtë shekull, por gjithsesi librat nuk shkruhen vetëm për të tashmen, prandaj e gjeta me vend që ky version i ngjarjes të jetë në libër. Sipas këtij versioni, Ramiz Alia, pasi bëri vrasjen, i raportoi hollësisht Hoxhës në shtëpinë e këtij të fundit për ngjarjen dhe e gjithë kjo u regjistrua dhe u arkivua. Duke u rikthyer në kursin e këtij libri, pra në momentet pas vdekjes së Spirut, Hoxhës iu krijua vetëm një problem nga kjo ngjarje. Si do të veprohej me Spirun pas vdekjes, do të shpallej ai armik, çka do të thoshte që kufoma e tij të zhdukej duke u varrosur në ndonjë varr sekret pa emër, në breg të lumit të Tiranës, apo do të varrosej me nderime si udhëheqës. Hoxha për këtë gjë iu drejtua jugosllavëve. I dërguari i Komitetit Qendror të PKJ në Tiranë, Savo Zllatiç, do të njoftonte Beogradin në 21 nëntor 1947, të nesërmen e vdekjes së Spirut:
       Enveri më parashtroi çështjen që unë ta shihja gjithçka qartë se çfarë veprimtarie të madhe antiparti kishte zhvilluar Nako. Pavarësisht nga ngjarja e tanishme, duhet që në parti të demaskohet politika që ka zbatuar Nako. Në të njëjtën kohë, përveç të tjerave, Enveri më pyeti nëse nesër do të bëhej përcjellja mortore.[lxxxviii]
      Jugosllavët e gjetën me vend të tregohen të kujdesshëm në këtë pikë, se vdekja e Spirut kishte tërhequr vëmendjen e sovjetikëve. Prandaj nga Beogradi erdhi udhëzimi që Spiru të varrosej me një ceremoni zyrtare, derisa ende nuk ishte shpallur armik. Në varrimin e tij do të merrte pjesë e gjithë udhëheqja e vendit, por që të jepej të kuptohej se për Spirun kishte dyshime dhe çështja e tij do të shqyrtohej, në funeralin e tij, fjalimin nuk do ta mbante asnjë nga udhëheqësit e lartë, siç do të duhej të ndodhte në rrethana të tjera meqënëse Spiru kishte qenë anëtar i Byrosë Politike dhe numri 3 i regjimit, por do ta mbante zëvendësi i Spirut në Komisionin e Planit të Shtetit, Kiço Ngjela. Në emër të organizatës së rinisë, ironikisht do të fliste vrasësi, Ramiz Alia. Në funeralin e Spirut, Hoxha, do të qe në krye, duke pasur në secilin krah Xoxen dhe Omer Nishanin. Në fotografitë e funeralit Hoxha dhe Xoxe duken të dy të trishtuar, por për arsye të ndryshme. Hoxha vështron në drejtim të varrit të hapur, duke menduar më tepër se për Spirun, për rrezikun që ekzistonte ende që Spiru ta tërhiqte në varr. Xoxe duket i pezmatuar, jo aq për vdekjen e Spirut, se për faktin që nuk arriti dot ta shohë në një gjyq-spektakël, para se të përfundonte në varr. Krahu i Xoxes pati megjithatë një përfitim nga vdekja e Spirut. Në nëntor 1947 njeriu i Xoxes, Pandi Kristo, zuri vendin e lënë bosh nga Spiru, si Kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit. Hoxha as që provoi të vinte në këtë post ndonjë prej njerëzve të tij. Me vdekjen e Spirut, Hoxha u bë krejt apatik në udhëheqje.

3.
Sot me festën e madhe tonë të Çlirimit koincidon dhe festa e madhe e popujve vëllezër të Jugosllavisë së re, Shpallja e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, që është njëkohësisht dhe festa jonë.

      Dhjetë ditë pas varrimit të Spirut, në 2 dhjetor 1947, Xoxe mbajti një fjalim në Shkollën e Partisë, që dukej qartësisht i frymëzuar nga jugosllavët, dhe sinjalizohej se çështja e Spirut do të përdorej për të bërë një spastrim të madhe në parti. Jugosllavët dhe Xoxe nuk hiqnin dorë nga ideja për të zbuluar një «komplot» të gjerë antijugosllav në Shqipëri dhe për të bërë një gjyq-spektakël me pjesëmarrësit e këtij «komploti». Xoxe, në fjalimin e 2 dhjetorit 1947, pasi bëri një tablo të të gjithë fraksioneve armiqësore në parti, që prej krijimit të saj, e paraqiti të keqen në parti si të sjellë nga intelektualët. Xoxe tha:
       Po nga të gjitha këto del e kjartë se në Partinë t’ onë mbi të gjitha shtrembërimet e deviacjonet, kanë predominuarë ato nga e djathta, të lidhura ngushtë e me origjinë kryekëput nga elementa intelektualë të kalbur, të sëmurë nga doza të mëdha egoizmi, karjerizmi, megallomanije dhe avanguardizmi të sëmurë dhe që nuk kanë realizuar dot as rolin e Partisë as ndërgjegjen komuniste t’ antarit të Partisë dhe as që nuk kanë patur ndërgjegjen e klasës, instiktin e klasës, shpirtin proletar dhe një moral të shëndoshë komunist.[lxxxix]
      Xoxe postuloi kështu të keqen në parti, mbi bazën e fakteve që dilnin nga spastrimet e bëra në parti deri më atëherë. Rezultonte se e keqja e partisë vinte nga intelektualët, ose më saktë ata që quheshin intelektualë, sipas standardit modest të partisë në këtë aspekt. Në të gjitha rastet, «shtriga» e cila qe gjuajtur kishte qenë intelektuali, që nga rasti i Anastas Lulës dhe Sadik Premtes, tek ai i Ymer Dishnicës e Gjin Markut, rasti i Liri Gegës e Ramadan Çitakut, rasti i Sejfulla Malëshovës, e deri tek i fundit, i Spirut. Në të gjitha këto raste, Hoxha, me zellin e vet prej Tarasi-Herman për t’ u dukur me shpirt proletari, kishte pasur një rol të rëndësishëm në gjuetinë e «shtrigave». Kështu, Hoxha vetë, me zellin e tij prej Tarasi, i kishte dhënë punëtorit Xoxe të drejtën që të postulonte antiintelektualizmin si një ligj moral të partisë. Tash ky postulat, ironikisht, synohej të përdorej kundër vetë Hoxhës.
      Fjalë si këto që tha Xoxe më lart, do të përdoreshin më pas për të krijuar mitin se Xoxe luftonte kundër intelektualëve, ndërsa Hoxha i mbronte ata. E vërteta është krejt ndryshe. Në kohën që Xoxe thoshte fjalët e mësipërme, arsimimi i anëtarëve të partisë paraqitej kështu, sipas shifrave që u dhanë rreth një vit më pas, në Kongresin I të PKSH, nga sekretari organizativ i asaj kohe, Jakova:
       Për sa i përket zhvillimit kultural dhe arsimor Partia jonë paraqitet mjaft e dobët. Nga të 29 137 anëtarët kemi:
Analfabetë… 543 d.m.th. 1.8%
Dijnë shkrim e këndim por pa shkollë…5684 d.m.th. 19.5%
Me shkollë fillore…18185 d.m.th. 62%
1-4 klasë shkollë të mesme 3410 d.m.th. 11.5%
5-7 klasë shkollë të mesme 919 d.m.th. 3.1%
Studentë universitarë 328 d.m.th. 1.2%
Që kanë mbaruar universitetin 68 d.m.th. 0.2%[xc]
      Partia ishte definitivisht parti e injorantëve. Prej anëtarëve të partisë vetëm 1.4 %, ose rreth 396 veta, të cilët kishin mbaruar studimet e larta, ose nuk i kishin përfunduar ato mund të quheshin intelektualë, në terminologjinë e komunizmit shqiptar të kohës, kur në fakt qenë surrogate-intelektualë. Kjo do të thoshte se Hoxha e kishte dëshmuar veten të ishte një antiintelektual ekstremist. Xoxe nuk ishte kundër intelektualëve në tërësi, se ai e kuptonte se vendi dhe partia nuk mund të bënin pa ta (vetë fjalimin e Xoxes siç doli më pas e kishin shkruar dy intelektualë, Manush Myftiu dhe Xhavit Qesja), por ai qe kundër intelektualëve që i shikonte si rivalë në udhëheqje, dhe mbështetësve të tyre. Në ato rrethana, goditja ndaj intelektualëve do të thoshte në radhë të parë goditje edhe ndaj Hoxhës. Xoxe, në vazhdim të fjalimit të vet, e paraqiti rrezikun që vinte nga intelektualët me frymë mikroborgjeze si rrezikun kryesor aktual në parti:
       Që këtej del se në situatën e sotme fryma-mikroborgjeze që ekziston në disa elementë në Partinë t’ onë ka një influencë shumë të dëmshme në punët e Partisë dhe përbën rezikun më të madh për Partinë t’onë, pse që andej rjedhin të gjitha tendencat oportuniste likujdatore, atje gjejnë vend, rriten dhe zhvillohen disa karakteristika shumë të këqija, si egoizmi, megallomanija, avanguardizmi i sëmurë dhe jo për interesat e Partisë dhe të popullit, karjerizmi, që pengojnë tërë punën e Partisë, e kalbëzojnë dhe japin rast të zhvillohen dëshira për kapje pozitash arivisti, pa marrë parasysh dëmin që i sillet Partisë.[xci]
      Xoxe sigurisht që nuk fliste nga mendja e tij. Në të vërtetë ishte Tito, i cili duke qenë me origjinë punëtore, parapëlqente që në krye të regjimit në Shqipëri të ishte një punëtor si Xoxe dhe jo një surrogat-intelektual, si Hoxha. Fjalimi i Xoxes ishte shpallja e revanshit në parti nga ana e punëtorëve, të cilët e kishin humbur drejtimin e partisë në krijimin e saj në nëntor 1941, kur atë e kishin marrë surrogat-intelektualët. Hoxha e kuptonte se etiketimet që Xoxe u bënte intelektualëvë në fjalimin e tij, i shkonin dhe atij vetë, Hoxhës, come un gant. Hoxha e shihte se jugosllavët i mbështesnin ambicjet e Xoxes. Hoxha rrëfen në kujtimet e veta një thënie kuptimplotë të të dërguarit jugosllav, në dhjetor 1947:
       -Në udhëheqjen tonë,- vazhdoi Zllatiçi,- ka një harmoni të shkëlqyer. Le të marrim marrëdhëniet Tito-Kardel. Shoku Tito ka instiktin e klasës dhe Kardeli mbështetet shumë tek ky instikt.[xcii]
      Tito, i cili vetë kishte qenë punëtor, nuk e ndjente veten komod duke pasur si homolog në Shqipërinë vasale një njeri si Hoxha, që quhej intelektual sipas terminologjisë së kohës të komunizmit ndërkombëtar. Hoxha, në këtë situatë rreziku ekstrem për të, u soll si Taras-Herman i vërtetë. Ai, nga njëra anë bëri kolaboracionistin ekstremist projugosllav, aq sa t’ ia kalonte dhe vetë Xoxes, ndërsa në anën tjetër bëri autokritikë të thellë, pranim akuzash, se për këtë e kishte mësuar që nga Plenumi i Beratit se ishte një gjë që jugosllavëve u pëlqente shumë. Hoxha e dinte se jugosllavëve u pëlqente shumë veç pranimit të akuzave edhe denoncimi i bashkëpunëtorëve. Hoxha vendosi të luajë gjithçka mbi kartën e kolaboracionizmit jugosllav, duke e ndjerë me intuitë se jugosllavëve u konvenonte që pikërisht ai Hoxha, i cili kishte nënshkruar traktatin të nënshkruante hyrjen e Shqipërisë në federatën jugosllave. Hoxha mendonte se pas këtij shërbimi që do t’ i bënte Beogradit, do t’ i plotësohej kërkesa e tij që të tërhiqej i qetë, duke marrë ndonjë post dekorativ në zyrat e federatës në Beograd. Shkurt, Hoxha, po të zhvilloj krahasimin që do të bënte për të Dolores Ibarruri në 1960, sillej si ai qeni, i cili kur do që ta marrë me të mirë të zotin e nervozuar, i lëpin dorën që ai ia tund me kërcënim. Hoxha në mesazhin për popullin shqiptar me rastin e festës së Çlirimit, në 29 nëntor 1947:
       Sot me festën e madhe tonë të Çlirimit koincidon dhe festa e madhe e popujve vëllezër të Jugosllavisë së re, Shpallja e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, që është njëkohësisht dhe festa jonë. Prandaj ne sot gëzojmë dhe brohorasim njëkohësisht për popujt vëllezër dhe aleatë të shtrenjtë dhe besnikë të Jugosllavisë, për mikun e dashur të popullit tonë Mareshalin Tito, për aleancën dhe vëllazërimin e pathyeshëm në mes dy popujve tanë.[xciii]
      Hoxha me këtë kërkon të thotë se tashmë ai e shikonte Shqipërinë si pjesë të federatës jugosllave. Ai zbuloi kështu edhe arsyen se përse regjimi shpalli si festë të çlirimit 29 nëntorin, për të cilën deri më tash kishte thënë se atë ditë ishte larguar ushtari i fundit gjerman nga Shqipëria. Në fakt del se dita e çlirimit të Shqipërisë duhej të koincidonte me atë që do të ishte festa e Jugosllavisë komuniste, sipas ditës kur kishte lindur projekti i saj në Mbledhjen e Jajce-s. Fryma e Jajces mbisundonte në Shqipëri dhe tash mbetej vetëm që ajo të formalizohej. Për këtë, në 5 dhjetor 1947, i dërguari i PKJ në Shqipëri, Savo Zllatiç i paraqiti Hoxhës dhe Xoxes tezat për zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, që praktikisht konsistonin në bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë në një federatë. Në tezat thuhej se Jugosllavia dhe Bullgaria praktikisht qenë duke u bashkuar në një federatë:
       Marrëdhëniet tona me Bullgarinë ne mund t’ i përmbledhim në ato që Titoja ka thënë në Varna. Në fakt në praktikë ne bëjmë federatë, Kjo do të sigurojë bashkimin e vërtetë dhe do të sigurojë përfitimin maksimal të fuqive tona në ndërtimin e vendeve tona.[xciv]
      Në të vërtetë Tito, siç tashmë e kam treguar, nuk e donte aspak federatën me Bullgarinë, por bënte sikur punonte për të, ashtu që të kënaqte Stalinin dhe të evitonte kundërshtimet e këtij për aneksimin e Shqipërisë nga Jugosllavia. Kështu, nënkuptohej se të njëjtën gjë duhej të bënte dhe Shqipëria. Por, lihej të kuptohej se kërkesa për këtë duhej të vinte nga pala shqiptare. Ky ishte pikërisht rasti që priste Hoxha për të shfaqur veten si kolaboracionist ekstrem projugosllav. Tezat e paraqitura nga Komiteti Qendror i PKJ u shqyrtuan në një mbledhje të Byrosë Politike të PKSH, të mbajtur në 7 dhjetor 1947, ku merrte pjesë edhe i dërguari jugosllav Savo Zllatiç. Në këtë mbledhje, Hoxha pasi paraqiti tezat, u prononcua i pari duke thënë:
       Marrëdhëniet duhet t’ i shikojmë midis dy vendeve tona dhe me popullin bullgar. Marrëdhëniet me Bullgarinë përmblidhen në ato që tha Titoja Varnë. Në praktikë, duke punuar kështu, ne punojmë për Federatën Ballkanike, ndërtojmë themelet e kësaj federate, sigurojmë bashkimin e vërtetë. Duke punuar në baza federative, praktikisht ne shkojmë drejt bashkimit të vërtetë, pavarësisht se nga ana formale do të ruhet shteti me ministri të jashtme etj.[xcv]
      Këtu ishte “qeni” që lëpinte dorën e zotërisë së zemëruar. Hoxha këtu reflektonte pikëpamjen e Titos se prioritet duhet të kishte bashkimi i Shqipërisë me Jugosllavinë, para atij të dy vendeve me Bullgarinë. Të gjithë pjesëmarrësit në mbledhje u shprehën dakord me tezat jugosllave. Por me Gjergj Dimitrovin, i cili e ftoi për një vizitë në dhjetor 1947, Hoxha u soll si qeni që kafshon dorën e atij që e ushqen. Hoxha, gjatë rrugës për në Bullgari ndaloi në Beograd dhe takoi Titon, sikur të donte t’ u thoshte bullgarëve se, edhe sikur të bëhej federata ballkanike ajo duhej të kishte kryeqytet Beogradin. Hoxha në Beograd mori udhëzime që gjatë vizitës në Bullgari të kërkonte ndryshme në projekt-traktatin që do të nënshkrohej mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, në mënyrë që të dilte supremacia e Jugosllavisë në lidhjen mes tre vendeve. Në 23 dhjetor, në një mbledhje të Byrosë Politike Hoxha tha: 
       Vizita në Bullgari. Për pritjen nuk po flas. Për traktatet bëmë ndryshime në artikullin 5. Pati vërejtje për gjëra principi: Duhej të dilte Jugosllavia si baza e lidhjeve të tri shteteve; nga Jugosllavia vjen rezultati i lidhjeve midis nesh dhe Bullgarisë.[xcvi]
      Kështu Hoxha pohoi se traktati midis Shqipërisë dhe Bullgarisë u nënshkrua për të krijuar iluzionin se po shkohej drejt federatës ballkanike, në një kohë që realisht po punohej për përfshirjen e Shqipërisë në federatën jugosllave. Lidhur me këtë është mjaft domethënëse mënyra se si Hoxha e komenton traktatin me Bullgarinë në fjalimin që mbajti në 3 janar 1948, në Kuvendin Popullor, në seancën për ratifikimin e traktatit me Bullgarinë:
       Ky traktat, sikundër që e dini u nënshkrua pas traktatit që ne kemi me popujt e Jugosllavisë, Republikën Popullore Federative të Jugosllavisë. Traktati me popullin bullgar e forcon edhe më tepër marrëveshjen që ne kemi me Jugosllavinë.[xcvii]
      Në dhjetor 1947 Hoxha paraqitej si një sllavofil fanatik. Në mitingun e mbajtur në Tiranë, në 19 dhjetor 1947, me rastin e kthimit të delegacionit shtetëror nga Bullgaria, Hoxha tha:
       Askush nuk e ndan popullin tonë nga populli bullgar, nga popujt e tjerë sllavë, si dhe nga gjithë popujt e Ballkanit.[xcviii]
      Madje Hoxha do të arrinte deri atje sa për këtë gjë të tjetërsonte dhe historinë, siç bëri në korrik 1950, kur shkruajti në një shkrim për Gjergj Dimitrovin, që u përfshi në një libër për Dimitrovin, të botuar në Sofje:
       Në dokumentat e vjetër, ne gjejmë se që në shekujt IX-X tokat e Shqipërisë, të Bullgarisë dhe të Maqedonisë qenë përfshirë nga të njëjtat ngjarje të mëdha me karakter ekonomiko-shoqëror dhe politiko- kultural.[xcix]
      Këtu Hoxha shprehet në një eufemizëm për atë që ka qenë pushtimi i gjatë bullgar i Shqipërisë. Kur Hoxha shtrembëronte në këtë mënyrë truizmat historike, ai sigurisht që nuk e kishte për gjë që të bënte pirueta në politikën e ditës, aq më tepër kur qe fjala për zhvillime në forumet konspirative të regjimit. Gjatë takimit që Hoxha dhe Xoxe bënë në Beograd me Titon, në dhjetor 1947, u fol dhe për çështjen e konspiracionit të Spirut. Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të 24 dhjetorit 1947, do të tregonte për këtë çështje:
       Mareshali (Tito- K.M.) pyeti për situatën. Iu përgjigjëm se në analizat e para që bëmë rezulton se vija jonë ka qenë e shtrembër, treguam rrënjët pse u shtrembëruan folëm për planin dhe shfaqëm se kritikat dhe vrejtjet e Partisë Jugosllave janë të drejta.[c]
      Hoxha u udhëzua në Beograd që kur të kthehej në Tiranë të bënte autokritikë për fajin që kishte në çështjen e Spirut. Dhe Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të 24 dhjetorit 1947 do të thoshte:
   Çështja është gjithnjë në lidhje me Nakon; ky është një kapitull i veçantë, por lidhet me qëllimet e tij. Nakoja u mbështet tek unë për të realizuar qëllimet kundër Pandit e Koçit, kundër gjithë elementëve të shëndoshë të Partisë.[ci]
  A e dinte Hoxha se çfarë rrezikonte me këto fjalë që po nxirrte nga goja? Sigurisht që e dinte, por duket se besonte tek premtimi që i kishin bërë jugosllavët se atë do ta kursenin, vetëm se do t’ ia lëshonte Xoxes vendin që mbante në krye të regjimit. Hoxha, në vazhdim të autokritikës së tij, në mbledhjen e Byrosë Politike në 24 dhjetor 1947, do të tregonte karakterin e tij, kur edhe pse do të bënte autokritikë, do të përpiqej që ta hidhte pjesën më të madhe të fajita mbi Spirun e vdekur:
       Pse nuk ka biseduar me Koçin? Pse nuk e bëra këtë? Unë duhej të bisedoja, t’ ia shtroja çështjen dhe të shpjegoheshim. Nuk e bëra këtë se nuk ekziston besimi dhe këtu Nakoja kishte punuar për të thelluar përçarjen. Për sa u përket punëve korrente, unë bisedoja si me Koçin dhe me Pandin, por për këto që bisedoja me Nakon nuk ua shtroja. Nakoja punonte për të forcuar përçarjen, këtu lidhet edhe çështja me Jugosllavinë.[cii]
       Ajo që të zbavit në retorikën e Hoxhës është se ai imiton Stalinin, duke bërë pyetje të cilave u përgjigjet vetë, edhe në këtë rast krejt të pazakonshëm për retorikën staliniane, e cila rëndom përdorej për të akuzuar të tjerët. Kurse Hoxha po e përdorte këtu për autokritikë dhe pranim faji.
      Enver Hoxha ishte gati të bënte gjithcka për t’ u treguar jugosllavëve se ai ishte i prirur të ecte në kursin në të cilin ata e kishin futur Shqipërinë. Duke parë se jugosllavët kishin prirjen që të favorizonin në Shqipëri të krishterët ortodoksë, Hoxha kishte vendosur që të ndiqte shembullin e Hysni Kapos, i cili e ndau gruan e vet muslimane për t’ u martuar me një të krishterë ortodokse, dhe pas kësaj u bë njeriu i besuar i jugosllavëve. Kështu, Enver Hoxha vendosi ta ndajë gruan e vet Nexhmijen dhe të martohet me Tefta Tashkon, të njohurën e vet të vjetër, dobësinë për të cilën nuk e fsheh as në kujtimet e veta, kur boton një fotografi nga dasma e saj ku gjendet në një pozicion prej zhigoloje pas shpinës së saj. Por Tefta Tashko do të vdiste në rrethana misterioze në Beograd, ku kishte shkuar të kurohej, në dhjetor 1947. Enver Hoxha nga kjo vdekje e kuptoi se jugosllavët nuk e kishin atë në planet e tyre të ardhshme për Shqipërinë, si një figurë kryesore. Megjithatë Enver Hoxha shpresonte se, nëse tregonte zell prej kolaboracionisti, do të kursehej prej tyre dhe do të shpërblehej në njëfarë mënyre.               

4.     
Eliminimi i Enver Hoxhës, aneks i marrëveshjes Stalin-Gjilas për Shqipërinë- deja vu e marrëveshjes Stalin-Ribentrop

            Në dhjetor 1947-janar 1948 midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë u përsërit përsëri në formë farse tragjike pakti sovjeto-gjerman i vitit 1939, ku preja, fati i së cilës luhej, ishte Shqipëria. Në këtë déjà vu-farsë Stalini mori në raport me Titon rolin që Hitleri kishte pasur në raport me Stalinin në 1939. Në 23 dhjetor 1947, Stalini do t’ i bënte Titos një telegram që ngjante me letrën e 20 gushtit të Hitlerit për Stalinin, aq sa mund të quhej përsëritje hegeliano-marksiste e historisë në formë farse. Në letrën e  Hitlerit për Stalinin thuhej:
       Kam bindjen se thelbi i protokollit shtesë që dëshiron Bashkimi Sovjetik është e mundur të të sqarohet në kohën më të shkurtër të mundshme, në rast se një personalitet i rëndësishëm gjerman do të vinte në Moskë për bisedime.[ciii]
      Hitleri e inkurajonte Stalinin që të paraqiste dëshirat e veta për aneksime territoriale, duke iu lënë të kuptonte se ato do t’ i plotësoheshin. Pas kësaj letre u nis ribentropi në Moskë dhe u arrit pakti sovjeto-gjerman. Stalini do të bënte të njëjtën gjë, kur në 23 dhjetor 1947 do t’ i bënte Titos këtë telegram:
       Shokut Tito,
Me propozimin tuaj, anëtari i Byrosë Politike Zhdanov, ka pasur dy biseda me shokun Popoviç (ambasadori jugosllav në Moskë- K.M.) për çështjen e Shqipërisë. Duke konsideruar se gjatë bisedave kanë dalë probleme të tjera, ne do të donim që ju të çonit në Moskë një shok me përgjegjësi, mbase Gjilasin, ose ndonjë tjetër, që është në dijeni për situatën në Shqipëri. Unë jam i gatshëm që të përmbush dëshirat tuaja, por është e nevojshme që unë t’ i njoh saktësisht këto dëshira.
Përshëndetje shoqërore,
J.Stalin.[civ]
      Si një rufian gjeopolitik me përvojë, Stalini kërkonte t’ ia hiqte drojën Titos fillestar në zejen e rrëmbimit e përdhunimit të shteteve, duke i thënë që të shprehte çfarëdo dëshire ndaj Shqipërisë, duke u nënkuptuar deri edhe aneksimi. Por  Stalini i bënte të qartë Titos se çfarëdo ambicjesh që të kishte Jugosllavia ndaj Shqipërisë, përmbushjen e tyre duhet që t’ ia kërkonte Moskës si koncesion, në një deja vu të paktit sovjeto-gjerman të vitit 1939, ku Gjilasi thirrej të luante rolin e Ribentropit.
      Në Beograd ofertën e Stalinit e perceptuan sikur Moska, gjithsesi, nuk do të kundërshtonte çfarëdo lëvizje jugosllave në Shqipëri. Udhëheqësit jugosllavë, të cilët kishin bërë shkollën staliniane të terrorit ku iu ishte kultivuar cinizmi i skajshëm, vendosën që ta eksploitojnë qëndrimin e Stalinit për të çuar deri në fund eliminimin e krahut prosovjetik në udhëheqjen shqiptare. Në dhjetor 1947, Hoxha i rënë në apati të thellë, bashkëpunoi si automat në eliminimin e njeriut të tretë të triumviratit Hoxha-Spiru-Shehu, të krijuar në 1946, shefit të Shtatmadhorisë, Shehut. Ky i fundit, duke qenë njeri energjik dhe i fortë, u përpoq, po ashtu si Spiru, që ta bënte Hoxhën të reagonte ndaj goditjeve që po vinin nga jugosllavët dhe Xoxe, por pa sukses. Hoxha shkruan në kujtimet:
       Më vjen në një nga ato ditë Mehmet Shehu dhe më thotë:
-Shoku Komandant, në Shtatmadhori po grindemi, se po flitet për unifikimin e dy komandave të ushtrive tona dhe jugosllavët duan të të venë vizën.
    Ishin momentet pas vetëvrasjes së Nako Spirut, momentet kur Koçi Xoxe kishte zhveshur pallën dhe priste majtas e djathtas. Në analizat që bënim, midis të tjerash, por ngriheshin akuza edhe për gjendjen «e pakënaqshme në ushtri», veçanërisht në Shtabin e Përgjithshëm, për «frymë shabllone» me të cilën po e edukonim ushtrinë (!), për «nënvleftësimin e përvojës ushtarake të shokëve jugosllavë» etj.
    Këto goditje po bëheshin fillimisht duke «kritikuar» shefin e Shtatmadhorisë, Mehmet Shehun. Veçanërisht në një numër njerëzish në Drejtorinë Politike të Ushtrisë, me të cilët kishin kontakt direkt jugosllavët, po kristalizohej një ndjenjë e tillë jo vetëm kundër Mehmet Shehut, por edhe kundër meje. Kjo nuk bëhej akoma haptazi, por indirekt atje të çonte, pse dilte sikur unë e kisha propozuar Mehmet Shehun për shef të Shtabit dhe e përkrahja atë etj. Nga ana tjetër, meqë unë isha Komandant i Përgjithshëm, tash që thuhej se në «Shtatmadhori punët s’ venë mirë», kjo ishte goditje direkte për mua që «e lejoja» këtë situatë![cv]
      Goditja ndaj krahut prosovjetik në udhëheqjen shqiptare kishte filluar pikërisht me goditjen ndaj Shehut, në prill të atij viti. Hoxha, që në atë kohë e kishte të qartë se kjo ishte një goditje ndaj atij vetë, çka e thotë saktë, kur tregon si rifilloi goditja ndaj Shehut në dhjetor, siç e kam cituar më lart. Shehu shkoi tek Hoxha me qëllim që ta nxiste atë që ta kundërshtonte shkarkimin e tij. Shkarkimin e Shehut e kishte në dorë Hoxha si Komandant i Përgjithshëm. Sigurisht që vendimi do të merrej në Byronë Politike dhe Hoxha ishte i detyruar që ta zbatonte, por Shehu u shkarkua që para se të bëhej mbledhja e Byrosë Politike që do të shqyrtonte çështjen e tij. Hoxha në kujtimet e tij përpiqet që ta trivializojë këtë fakt:
       Në gjendjen e krijuar mendimi i Byrosë edhe për këtë çështje do të ishte sa për formë. Gjithçka ishte paravendosur jashtë Byrosë. Mehmet Shehu në fund të dhjetorit 1947 u zëvendësua nga Beqir Balluku.[cvi]
      Por megjithatë Hoxha kishte plotësisht të drejtë që të refuzonte shkarkimin e Shehut, para se çështja e tij të shqyrtohej në mbledhjen e Byrosë Politike, ku duhej të merrte pjesë edhe vetë Shehu, i cili ishte një nga tre kandidatët e Byrosë Politike, që kishte të drejtë të merrte pjesë në mbledhjet e saj. Shqyrtimi i çështjes së Shehut do të bëhej në një mbledhje të Byrosë Politike të mbajtur në 1 janar 1948, për më tepër pa praninë e këtij të fundit, një shkelje e dyfishtë procedure kjo. Nëse vendimi për shkarkimin e Shehut ishte marrë jashtë Byrosë Politike, siç thotë Hoxha, dhe siç duket qartë se ka ndodhur, atëherë del se Hoxha ka bashkëpunuar që kjo të realizohet. Në mbledhjen e Byrosë Politike, në 1 janar 1948, goditja e Xoxes i drejtohej Shehut, por nuk ishte e vështirë të kuptohej, se ai shënjestronte eprorin direkt të Shehut, Hoxhën:
       Tashti do të flas mbi çështjen e ushtrisë. Edhe në këtë sektor është ndjekur nga Mehmeti një vijë shumë e gabuar, e ngjashme me atë të Nakos, e cila duket në dy drejtime: 1)në lidhje me marrëdhëniet me Jugosllavinë, d.m.th. me planin e bashkëpunimit me Jugosllavinë që nuk është parë drejt, por me qëllim të caktuar shkëputjen, indipendencën, kryelartësinë dhe 2) në lidhje me politikën e brendshme në ushtri. Ashtu si Nakoja në lidhje me Partinë, në tërë sektorët, kishte dalë duke e sulmuar, duke e goditur Partinë. Në politikën e kuadrit Mehmeti ka ndjekur një politikë jo të orientuar drejt klasës, por për t’ ia dorëzuar Partinë elementit të dobët.[cvii]
      Por Shehu tashmë ishte shkarkuar dhe zëvendësuar nga Beqir Balluku, një njeri apatik, dhe i përzgjedhur për atë post, vetëm për dëgjueshmërinë ndaj jugosllavëve, dhe për atë se nuk kishte asnjë aftësi për ta përdorur ushtrinë si një forcë në luftën politike brenda udhëheqjes. Me Beqir Ballukun në vend të Shehut, Hoxha nuk e kishte më mbështetjen e ushtrisë përballë Sigurimit të Shtetit të Xoxes. Xoxe, në mbledhjen e 1 janarit 1948, filloi ta zhvendosë shënjestrën nga Shehu tek Hoxha, kur tha për Shehun:
       Para Byrosë përgjegjës për ushtrinë ishte Shulja dhe kjo i është thënë, por ai u përpoq të dilte sikur ai vetë ishte përgjegjës kryesor e kështu ndodhte që te Komandanti vinte një herë Shulja dhe pesë herë Mehmeti.[cviii]
      Kjo, qartësisht, më tepër se akuzë për Shehun qe akuzë për Hoxhën, i cili i bënte të mundur Shehut që të vepronte kështu. Hoxha nuk u prononcua për çështjen e Shehut në mbledhjen e Byrosë Politike të 1 janarit 1948. Zhvillimi më alarmues për Hoxhën në mbledhjen e 1 janarit 1948 ishte se Xoxe, i instruktuar me siguri nga jugosllavët, vazhdoi insistonte për zbulimin e përmasave dhe përgjegjësive të secilit, në punën armiqësore të Spirut, madje doli me teorinë e ekzistencës së një konspiracioni në krye të partisë:
       Fraksioni i Nakos del i sigurt në kokën e Partisë, s’ ka më është apo nuk është... Kemi dy vjet punë sistematike të Nakos me shokë për këtë qëllim, të dorëzohej Partia në duart e armikut. Këto dy vjet kanë qenë sulme në të gjitha drejtimet e punëve të shtetit dhe të Partisë, sidomos këto sulme tërë zjarrin e drejtonin te Partia, për të marrë Partinë në dorë, d.m.th. të merrnin kuadrin; Liria të merrte organizatat e, kështu të shtinte në dorë gjithë punët. Nakoja e kishte hedhur me kohë kryeministrinë në dorë, Rininë, sindikatat, Drejtorinë e Punës, Gruan. Në ushtri po punonte Mehmeti në këtë punë. Nakoja ka përdorur Rininë, ka përdorur intriga në shkallë të gjerë, edhe përbrenda, edhe te miqtë tanë, aq sa nuk kish ku t’ i shpinte. Shfrytëzoi me dinakëri çdo gjë, në çdo rast, i çau sekretarët e Partisë, tërhoqi Enverin, çau Byronë, e mbajti kështu të çarë vazhdimisht dhe luftonte për këtë e nuk ishte për afrim.[cix]
      Tashmë Xoxe po e akuzonte hapur Hoxhën si bashkëpunëtor në konspiracionin i cili deri tash ishte lidhur me emrin e Spirut, si njeriu i parë i tij. Madje me ato që tha Xoxe më lart dilte se shefi i konspiracionit ishte Hoxha. Një «fraksion në kokë të partisë»do të thoshte një konspiracion që sipas rregullave të partive komuniste, në pushtet ose jo, duhej ndëshkuar rëndë. Për një parti komuniste në pushtet, siç ishte ajo shqiptare, ndëshkimi ishte që përgjegjësit të arrestoheshin, të dilnin në gjyqe-spektakël dhe të dënoheshin me vdekje. Hoxha heshti edhe ndaj kësaj akuze, se nuk e dinte nëse ajo vinte nga mendja e Xoxes, apo ky i fundit ishte instruktuar nga jugosllavët për të folur kështu. Siç do të tregonin ngjarjet e ditëve në vazhdim, i dërguari jugosllav Zllatiç, në fillim do të bënte sikur nuk dinte gjë për teorinë konspirative të Xoxes për «fraksionin në kokë të partisë».
      Arsyeja për të cilën jugosllavët vepruan kështu ishte se ata dhe Xoxe donin që ta përdornin Hoxhën për të goditur Shehun në mbledhjet e Byrosë Politike që do të zhvilloheshin në fillim të janarit, nga të cilat njëra edhe me pjesëmarrjen e Shehut. Për jugosllavët ishte e rëndësishme që të ishte Hoxha ai që do të drejtonte sulmin kundër Shehut, njeriut të dytë që do të goditej nga triumvirati. Në mbledhjen e Byrosë Politike në 5 janar 1948 Hoxha atakoi Shehun, i cili edhe këtë herë nuk ishte fare i pranishëm në mbledhje Hoxha tha:
       Në përmbledhje, del se tendencat e Mehmetit janë tendenca të rrezikshme për Partinë dhe ushtrinë. Ai është ambicioz, egoist në kulm, që ka ide shumë të mëdha për personin e tij dhe këtë e ka shfaqur shumë herë. Ai është oportunist dhe sektar: dy karakteristika që ai nuk është komunist i mirë, nuk është i qëndrueshëm në vijën e Partisë, nuk është komunist i formuar, nuke  çmon udhëheqjen. Ai ka frikë nga Partia, d.m.th. se nuk e do Partinë, nuk ka besim tek ajo. Është zor që të ketë besim te Partia e te udhëheqja. Tani ky njeri ka luftuar në Spanjë dhe tërë ata që kanë qenë në Spanjë në Jugosllavi janë në krye të punëve, janë në poste me rëndësi, por ata janë të pastër, kurse ky nga origjina, nga edukata (Shkolla Teknike amerikane), këtij njeriu të sëmurë, tendencat e tij i janë zhvilluar në Spanjë, tendenca anarkiste. Për këtë njeri ne kemi një eksperiencë të hidhur. Tjetër nuk duhet të bëjmë. Në ushtri në asnjë mënyrë të mos qëndrojë. Po ky njeri a do vijë në rrugë? Nga shfaqjet e tij, ndjenjat e tij, mentaliteti, më duket e zorshme që të vijë.[cx]
      Siç shihet, Hoxha, edhe pse e kritikoi ashpër Shehun, nuk e pa çështjen në pikëpamjen që shprehu Xoxe në mbledhjen e kaluar të Byrosë Politike, për «fraksionin në kokë të partisë». Hoxha druhej që ta bënte këtë gjë sepse ai kishte qenë eprori direkt i Shehut, si Komandant i Përgjithshëm dhe ministër i Mbrojtjes, dhe nëse Shehu shpallej armik, kjo do të thoshte se dyshimet do të binin edhe mbi të. Hoxha, edhe pse vetë ishte me të njëjtën origjinë shoqërore si Shehu dhe, ashtu si ky i fundit, kishte shkuar për studime me bursën e shtetit shqiptar në një shkollë perëndimor në Shqipëri, madje dhe në një universitet në Perëndim, megjithatë guxon t’ ia shikojë si faje Shehut këto gjëra të së shkuarës së tij. A e kuptonte Hoxha se me këtë arsyetim po i bënte një dhuratë Koci Xoxes, i cili nuk kishte pse lodhej shumë. Mjaft që të merrte fjalët e mësipërme të Hoxhës, duke hequr prej tyre emrin e Shehut dhe duke vënë atë të Hoxhës. Madje Xoxe kishte dhe më shumë për të thënë në këtë sens në adresë të Hoxhës, i cili kishte qenë diplomat i monarkisë dhe tregtar me licencë fashiste. Në mbledhjen e 5 janarit, Hoxha, me sensin e vet spekulues prej Tarasi-Herman, shprehu një kolaboracionizëm ekstremist projugosllav, përtej atij të shprehur tashmë nga Xoxe, në mënyrë që të rriste kreditin e tij në Beograd. Hoxha deklaroi:
       Çështja e Partisë zgjidhet kur të gjitha çështjet i shtrojmë në baza federative, po kështu edhe çështjen e Partisë. Kjo është koka, që të mos gabojmë, d.mth. sekretar i përgjithshëm nuk jam unë, por Mareshali (Tito- K.M.). Ne jemi parti, si partitë e republikave të tjera me sekretarët e saj, me vijën e njëjtë me të tjerat. Këtu është çështja që ne ta kuptojmë Partinë në këtë kuadër.[cxi]
      Hoxha këtu i ofron Titos aneksimin e PKSH në PKJ, para aneksimit shtetëror të Shqipërisë nga Jugosllavia. Xoxe e priti në heshtje propozimin e Hoxhës, se nuk ishte i sigurt nëse ky i fundit e kishte nga mendja e vet këtë gjë, aspo ishte instruktuar nga jugosllavët për ta thënë, gjë që, nëse do të ishte e vërtetë, e shqetësonte Xoxen, se tregonte që jugosllavët i zbulonin Hoxhës pjesë të planeve të tyre për Shqipërinë, për të cilat atë nuk e vinin në dijeni. Hoxha nuk ishte instruktuar nga jugosllavët për të thënë këto fjalë, çka Xoxe e zbuloi shpejt. Në mbledhjen e Byrosë Politike, në 22 janar 1948, Xoxe reagoi ndaj pikëpamjes së Hoxhës për konsiderimin e PKSH si një pjesë të PKJ. Mes Xoxes, Pandi Kristos dhe Hoxhës shkëmbehen këto fjalë:
       Koçi Xoxe: Tani me i thënë Komitetit Central se Titoja është Sekretar i Përgjithshëm, por a është përgatitur Partia, populli, situata që të dalim kështu
    Pandi Kristo: Propozimi ynë është të mos dalim para kohe, por duke parë situatën dhe orientimin.
    Enver Hoxha: Unë kam thënë se edhe Partia duhet të shkojë në baza federale, pse e gjithë kjo vijë që shtrojmë atje të çon.
    Koçi Xoxe: Nga kjo anë të kemi kujdes, të mos biem në gabime të tjera.[cxii]
      Pandi Kristo thotë qartë atë që e preokuponte Xoxen, se ajo që thoshte Hoxha mund të bëhej vetëm kur ta sugjeronin jugosllavët. Megjithatë Hoxha do të insistonte:
       Ato që thashë i them prapë se të gjithë sektorët të shkojnë në atë rrugë, me baza federale, duke qenë kështu Sekretar i Përgjithshëm Titoja. Kështu vendi do të shkojë në një federatë. Atë e lidh me gjithë punën, me gjithë situatën. Ajo që thotë shoku Koçi edhe unë i atij mendimi jam. Kur do të bëhet ajo, në ç’ forma etj, atë do ta përcaktojë Stalini, ne, popujt, por vija jonë ajo është.[cxiii]
      Hoxha më pas do ta akuzonte Xoxen se ky punonte për aneksimin e Shqipërisë nga Jugosllavia, por siç shihet qartë, Hoxha është më i avancuar se Xoxe në këtë çështje.       Një arsye tjetër për të cilën Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 5 janar bëri deklaratën sensacionale për PKSH si pjesë e PKJ, dhe për Titon si kreu edhe i PKSH, ishte se në mbledhjen e ardhshme të Byrosë Politike, që do të mbahej pas tre ditësh, në 8 janar 1948, do të thirrej më së fundi Shehu, për t’ ju bërë gjyqi politik, dhe Hoxha kishte frikë nga ajo që do të ndodhte atje. Derisa jugosllavëve u konvenonte kolaboracionizmi i skajshëm projugosllav, i shprehur nga Hoxha, atyre nuk u kishte pëlqyer aspak moderimi i Hoxhës në kritikën ndaj Shehut. Prandaj Hoxha do të tregohej më i ashpër me këtë të fundit. Hoxha i tha Shehut në fillim të mbledhjes:
       Byroja ka analizuar punën tënde dhe ka mbërritur në konkluzione që do të komunikohen tashti.[cxiv]
      Pasi Shehu ishte shkarkuar, atij po i komunikohej dënimi politik. Hoxha pasi foli edhe Xoxe ia dha fjalën Shehut. Shehu, me zgjuarsi vuri në dukje shkeljen e procedurës së mbledhjes së Byrosë. Mes Hoxhës dhe Shehut u zhvillua ky dialog:
       Komandanti (E. H.): Tashti mund të flasë Mehmeti.
Mehmet Shehu: Në se ka njeri tjetër, mund të flasin shokët më përpara; çështja ka rëndësi për mua dhe veçanërisht për Partinë dhe do të ish mirë të flisnin të gjithë shokët përpara.[cxv]
      Shehu vuri në dukje kështu se nuk vendoste Byroja Politike, por një klikë brenda saj. Shehu pati kurajën të thoshte:
       Unë ndodhem para vendimit të Byrosë, para një vendimi që është marrë në mungesën time, pa biseduar fare me mua, pa dijeninë time. Arsyet e kësaj mënyre veprimi nuk i di. Ky vendim, flas për personin tim, është jashtëzakonisht i rëndë, se faktet në të cilat është bazuar Byroja rëndojnë shumë mbi mua dhe, e dyta, është se në jetën time bëhet një gjë e jashtëzakonshme.[cxvi]
      Por Shehu nuk pati kurajë të shprehej kundër jugosllavëve, madje ai u tregua një kolaboracionist projugosllav ekstremist, kur deklaroi:
       Unë garantoj se nuk jam kundër Jugosllavisë, nuk jam kundër bashkimit të ushtrisë sonë me atë jugosllave. Unë kam punuar dhe punoj për këtë, unë them se nuk kam qenë për përçarje me Jugosllavinë, nuk jam antiparti.[cxvii]
      Ajo çka Shehu nuk e kuptonte, ose bënte sikur nuk e kuptonte ishte se, për jugosllavët, si antijugosllavizëm në Shqipër shihej dhe prosovjetizmi. Në fund të mbledhjes zhvillohet ky dialog mes Hoxhës dhe Shehut:
       Komandanti (E. H.): Helmi i Nako Spirut ka qenë helm, prandaj nuk mund të thuhet ashtu me fjalë  «jemi të influencuar, bile shumë rëndë». Po të realizosh punën armiqësore të Nakos, do të kuptosh se sa drejt dhe me vend është vendimi i Byrosë.
Mehmet Shehu: Dua të them një gjë që Byroja mori vendim para se të bisedohej me mua.
Komandanti (E.H.): Byroja ka të drejtë të plotë për të vepruar ashtu si bëri dhe e sqaroi këtë nga ana e saj, i vuri pikëpamjet e saj dhe mori vendimin. Tashti varet nga ti të thuash a e pranon vendimin apo jo dhe si e realizon.[cxviii]
      A e realizonte Hoxha nga ana e tij, se ky dialog nesër mund të bëhej mes tij dhe Xoxes, duke qenë Xoxe në vend të Hoxhës, dhe ky i fundit në vend të Shehut? A nxirrte ndonjë mësim Hoxha nga fakti se edhe Shehu, e luajti në këtë mbledhje kartën e kolaboracionizmit projugosllav, por pa sukses? Pasi Hoxha u përdor për të eliminuar Shehun, erdhi radha që atij t’ i kërkohej që të pranonte teorinë e Xoxes, që në fakt ishte e jugosllavëve, e «fraksionit në kokë të partisë», dhe të bënte autokritikë, çka praktikisht do të thoshte që të pranonte se ishte shefi i konspiracionit armiqësor. Jugosllavët tashmë ndiqnin taktikën që t’ i thoshin Hoxhës se e rëndësishme ishte që të zbulohej veprimtaria armiqësore e Spirut në tërë shtrirjen e saj, ndërsa ai vetë, Hoxha, duhet të jepte shembullin për të tjerët, duke bërë autokritikë, nga thellësia e së cilës do të varej qëndrimi ndaj tij. Me një fjalë: truku i zakonshëm stalinian.
      Të nesërmen e kësaj mbledhjeje të Byrosë Politike, ku Hoxha dhe Xoxe bënë garë se kush do të ishte kolaboracionisti më i madh i jugosllavëve në Shqipëri, në Moskë, do të mbahej versioni në formë farse i takimit Stalin-Ribentrop, do të thotë takimi Stalin-Gjilas për çështjen shqiptare. Ky takim u zhvillua në Kremlin në 9 janar 1948.[cxix]Milovan Gjilas shkruan në librin e vet «Biseda me Stalinin» mbi takimin me Stalinin për çështjen shqiptare:
       Pas përshëndetjeve të zakonshme, Stalini kaloi drejt e në temë:
-Po atje te ju në Shqipëri vriten anëtarë të Komitetit Qëndror! Kjo nuk është e mirë, nuk është aspak gjë e mirë.[cxx]
      Kjo ishte mënyra staliniane e bisedës. Bashkëbiseduesi atakohej pa paralajmërim, për t’ u dominuar. Kur Gjilasi filloi të jepte shpjegime në terma ideologjike, Stalini e ndërpreu duke e futur bisedën në kursin realpolitik dhe duke e shndërruar në diçka shumë të ngjashme me bisedën Stalin-Ribentrop të vitit 1939. Gjilasi kujton:
       Unë fillova t’ ia sqaroj: Nako Spiro ishte ngritur kundër marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, u vetëizolua në Komitetin e tij Qëndror. Por ende pa mbaruar, Stalini më thotë papritmas:
-Ne në Shqipëri nuk kemi kurrfarë interesa të veçantë. Ne jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë!
Në atë çast ai palosi gishtat e dorës së djathtë dhe i çoi te goja duke u përcjellë. Më habiti, gati më shastisi mënyra e të shprehurit dhe gjesti i Stalinit, po nuk e di nëse kjo u pasqyrua në fytyrën time, sepse u përpoqa ta kthej gjithçka në shaka dhe e mora më tepër si një mënyrë të zakonshme brutale të shprehjes së mendimeve nga Stalini.[cxxi]
      Gjilasi nuk është bindës kur shtiret sikur habitet nga oferta dhe gjesti i Stalinit. Telegrami i Stalinit për Titon, i 23 dhjetorit, të cilin Gjilasi sigurisht që duhet ta kishte lexuar, ishte formuluar në terma të tilla saqë, siç pohon Gjilasi më lart, atë e kishin nisur nga Beogradi duke e instruktuar që t’ i përgjigjej Stalinit se Jugosllavia dëshironte të aneksonte Shqipërinë. Derisa Gjilasin e kishin nisur në Moskë të bënte Ribentropon, atëherë ai nuk kishte pse të habitej kur Stalini i fliste atij në gjuhën që i kishte folur Ribentropit. Në këtë rast Gjilasi nuk zbulon gjë tjetër veç hipokrizisë së vet. Më tutje, gjatë bisedës, Gjilasi tregon edhe për një ndërhyrje domethënëse të Molotovit:
       Fillova t’ ia shpjegoj përsëri: Ne nuk duam ta gëlltisim Shqipërinë, por të bashkohemi me të, ta aneksojmë!
Këtu ndërhyri Molotovi:
-Po kjo do të thotë pikërisht ta gëlltisësh!
Kurse Stalini përsëriti edhe një herë gjestin e tij:
-Po, po, ta gëlltisësh! Dhe ne jemi dakord për këtë gjë: ju duhet ta gëlltisni Shqipërinë- sa më shpejt, aq më mirë.[cxxii]
      Molotovi, njeriu që nënshkroi paktin e vitit 1939, duke thënë këto fjalë, konfirmoi déjà vu të vitit 1939. Stalini po u jepte jugosllavëve si trofe shtesë edhe kokën e Hoxhës. Stalini e pyeti Gjilasin për Hoxhën:
       Po ndërkaq Stalini më kthen te realiteti:
-Po Hoxha, ç’ njeri është sipas mendimit tuaj?
Iu shmanga përgjigjes së drejtpërdrejtë e të qartë, po Stalini shprehu po atë mendim që kishte krijuar udhëheqja jugosllave për Hoxhën:
-Mos është mikroborgjez i prirur nga nacionalizmi? Se edhe ne kështu mendojmë. Më duket, aty njeriu më i sigurt është Xoxja, ë?
I pohova pyetjet e tij ngacmuese.[cxxiii]
      Sikur Hoxha të kishte mundësi t’ i mësonte në atë kohë fjalët e Stalinit për të, ai më së tepërmi do të mërzitej me cilësimin «nacionalist», të cilin nuk e kishte merituar me asgjë. Por në fjalorin demonologjik stalinian nuk kishte kurrfarë kujdesi për korrektësinë e termave, ato qenë thjesht etiketa denigruese që i viheshin atij që duhej të eliminohej. Gjithsesi, një gjë është e qartë, që Stalini pajtohej me eliminimin e Hoxhës dhe me zëvendësimin e tij me Xoxen. Në përfundim të takimit Stalinit bën një prej gjesteve të papritura që tregonin se tashmë Shqipëria konsiderohej e gëlltitur nga Jugosllavia:
       Stalini e mbylli bisedën për Shqipërinë, që nuk zgjati as dhjetë minuta:
-Midis nesh nuk ka divergjenca. Ju mund të formuloni vetë telegramin në emër të qeverisë sovjetike për këtë, drejtuar Titos.
Mu duk sikur nuk e kuptova mirë dhe e pyeta edhe një herë, kurse ai më përsëriti të njëjtën gjë. Në fillim këtë e mora si shenjë të besimit të veçantë ndaj meje dhe si shkallën më të lartë të miratimit të politikës sonë ndaj Shqipërisë. Por, tek po formuloja telegramin, të nesërmen, mendova se ai mund të ishte një grackë, apo një pretekst që mund të përdorej më pas kundër nesh, prandaj e formulova me kujdes dhe shkurt. Ky telegram nuk iu dërgua kurrë qeverisë jugosllave, sepse shumë shpejt plasi konflikti midis Moskës dhe Beogradit.[cxxiv]
      Jugosllavët, pasi Stalini qe shprehur praktikisht për eliminimin e Hoxhës, vendosën ta përshpejtojnë këtë gjë, duke ushtruar presion ndaj Hoxhës që të bënte autokritikën klasike të manualit stalinian, që shërbente si pikënisja e fazave të tjera të eliminimit, shkarkimit dhe arrestimit. Hoxha, më së fundi në mbledhjen e Byrosë Politike të 22 janarit 1948, do të pranonte teorinë konspirative të Xoxes, dhe do të bënte autokritikë:
       Por ky i Nakos është fraksioni më i poshtër e më i egër për Partinë. Ai i Lulës ishte i hapët si armik; kurse ky është brenda në Parti dhe brenda në Parti kishte ngritur elementin e kalbur, reaksionar, borgjez për ta hedhur Partinë në rrugën tjetër. Ky është një fraksion i fortë. Në këtë, me dashje, pa dashje unë kam ndihmuar. Duhet thënë se po të mos kishte mbështetjen time, me mënyrat dhe masat që janë marrë nuk mundet që kjo të dëmtonte kaq dhe të kishte një gjerësi të tillë. Po të mos ishte kjo, do të kishte unitet në Byro dhe ai do të gjente kundërshtime dhe do të zbulohej, sikundër që u zbuluan Liri Gega, Dishnica, Sejfullai. Po këtu Nakoja përfitoi nga dobësitë e mia dhe kështu fraksioni u bë më i fortë. Por Nakoja nuk i arriti qëllimet e tij, pse forcat e shëndosha të Partisë ishin më të shëndosha nga qelbësirat e Nakos.[cxxv]
      Hoxha vetëquhet «fraksionist», «qelbësirë», «i kalbur», «borgjez». Hoxha kërkon të bishtnojë disi kur është fjala për përgjegjësinë e tij, por megjithatë detyrohet të thotë se kishte bashkëpunuar me Spirun në mënyrë të vetëdijshme. Tashmë që Hoxha e kishte pranuar akuzën, ishte hapur rruga që sipas manualit stalinian të eliminimeve politike, t’ i kërkohej të thellohej në autokritikën e tij, çka do të thoshte të shkonte kah shkarkimi, arrestimi dhe dalja në një gjyq-spektakël, si shef i komplotit, për të shkuar pastaj para skuadrës së pushkatimit. Hoxha do të thoshte më vonë në raportin e vet në Kongresin I të PKSH, në nëntor 1948:
       Nënë presionin e tmerrshëm të grupit trockist Tito dhe t’ agjentëve të tij në Shqipëri, me ndihmën e Koçi Xoxes, që lonte prej kaqë vjetësh një punë armiqësore dhe djallëzore, u mposht Byroja Politike e Partisë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, dhe gjithë Komiteti Qëndror, u shkel vija politike e drejtë e Partisë sonë.[cxxvi]
      Hoxha, si Stalini, flet për veten në vetën e tretë! Si ndodhi që këta burra, të cilët mburreshin se kishin luftuar pushtuesit fashistë, u mposhtëm vetëm nga presionet verbale të disa emisarëve jugosllavë, në një kohë që gjendeshin në pushtet? Kjo nuk është e besueshme! Aq më pak e besueshme është që jugosllavët e bënë këtë gjë vetëm me anë të Xoxes e Pandi Kristos. Si është e mundur që Xoxe me një grusht njerëzish e vuri në gjunjë Komandantin dhe gjithë mbështetësit e tij që porsa kishin dalë nga lufta? I vetmi shpjegim i besueshëm është se si Xoxe, ashtu dhe Hoxha i kishin sytë nga Beogradi, ku shikonin senjorin e tyre nga i cili prisnin favoret apo faljen. Gjithashtu Hoxha do të thoshte më vonë në Kongresin I për jugosllavët:
       Taktika e këtyre ishte të diskreditonin gjithë shokët, që mbronin vijën e drejtë rreth Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, të shpifnin për Nako Spiron, për Mehmet Shehun, për Bedri Spahiun, t’ eliminonin Tuk Jakovën, të neutralizonin Gogo Nushin dhe t’ izolonin kështu Sekretarin e Përgjithshëm.[cxxvii]
      Kapo, më pas numri 3 i regjimit për mbi dy dekada, nuk përmendet fare, edhe pse ishte anëtar i Byrosë Politike në kohën që ndodhnin këto ngjarje. Ndryshe nga ç’ thotë Hoxha më lart, është vetë ky i fundit që shpifi për Spirun e Shehun, ndërsa për Spahiun e Jakovën më pas do të shkruante, siç e kam cituar më lart në këtë libër, se qenë inaktivë dhe ktheheshin nga të frynte era, çka do të thotë nga Xoxe. Hoxha tashmë kishte mbetur i vetëm në Byronë Politike. I gjithë kujdesi i tij ishte që të mos bëhej i paparashikueshëm për jugosllavët. Ai e kishte kuptuar tashmë se jugosllavët e falën atë në plenumin e Beratit se ai nuk u bë i paparashikueshëm për ta. Por, kur ai u lidh me Spirun kundër Xoxes, dhe të dy filluan të flirtojnë me sovjetikët, ata të dy u bënë të paparashikueshëm për jugosllavët.


5.
«7 prilli» jugosllav i Enver Hoxhës

      Ironikisht, në momentin kur Hoxha ishte tepër i kujdesshëm që të mos bëhej i paparashikueshëm për jugosllavët, në mënyrë që këta ta kursenin, ai do të shihte që t’ i largohej disi rreziku, për shkak se Tito befas u bë rrezikshmërisht i paparashikueshëm për Stalinin, dhe e gjithë kjo kishte lidhje me Shqipërinë. Në 26 janar 1948, në kohën kur Hoxha ishte në kulmin e ankthit, ai mori befas një letër nga Tito, të cilën ia dorëzoi në dorë një gjeneral jugosllav që erdhi posaçërisht nga Beogradi. Tito i shkruan Hoxhës:
       Para disa ditësh unë kam biseduar me shefin e ri të Shtabit tuaj dhe e kam lutur që t| ju transmetojë hollësitë, si e shikoj unë, situatën në kufirin tuaj dhe çfarë duhet ndërmarrë atje.
Pikërisht për shkak të një situate të tillë të paqartë, unë Ju jam lutur që të na jepni bazën në Korçë për një divizion me njësitë ndihmëse teknike. Në këtë mënyrë Juve do t’ ju krijohet mundësia që sektorin në drejtim të detit ta siguroni më mirë dhe, në rast provokacionesh, njësitë tona të mund të ndërhyjnë shpejt. Të gjitha këto përgatitje mendoj duhet të realizohen në mënyrë të qetë dhe pa u kuptuar që në popull të mos krijohen shqetësime. Armiku këtë pa tjetër do ta marrë vesh, por unë as që jam i mendimit që të mbetet sekret, kur njësitë tona do të jenë atje, sepse kjo gjë do të tregojë se aleanca jonë nuk është një çështje formale, por se (dy vendet tanë) janë të vendosur definitivisht t’ i mbrojnë së bashku kufijtë tanë.[cxxviii]
      Tito e ka fjalën për rrezikun që vinte për Shqipërinë nga përqëndrimi i forcave ushtarake qeveritare greke në kufirin me Shqipërinë, për shkak të përqëndrimit atje të luftimeve mes partizanëve komunistë grekë dhe ushtrisë shtetërore greke. Ky atëherë qe një rrezik real. Në fillim të vitit 1948 ushtria shtetërore greke ishte fuqizuar shumë, me ndihmat e mëdha në armatime që merrte nga amerikanët, dhe me stërvitjen e trupave të saj me ndihmën e këshilltarëve amerikanë dhe britanikë. Nëse në 1946 ushtria shtetërore greke nuk ishte në gjendje që të invadonte Shqipërinë tash ajo mund ta bënte këtë gjë. Madje, për shkak të përdorimit të Shqipërisë së Jugut si bazë nga guerrilja komuniste greke, në Athinë po shtoheshin zërat se mënyra më e mirë për të shkatërruar pjesën më të madhe të guerriljes komuniste ishte që t’ i merreshin asaj krahët, duke invaduar Shqipërinë e Jugut nëpërmjet Korçës dhe duke e shkëputur atë nga pjesa tjetër e vendit, saktësisht siç kishte tentuar ushtria greke që të bënte gjatë Luftës Italo-Greke, me ushtrinë italiane, së cilës kishte dashur t’ i merrte krahët në vijën Korçë-Skrapar-Myzeqe. Qeveria greke tashmë priste vetëm lejën e amerikanëve për ta ndërmarrë një operacion të tillë. Titoja mendonte në mënyrë të arsyeshme nga pikëpamja strategjike se, nëse në Shqipëri, në rajonin ku pritej sulmi grek, do të vinin forcat ushtarake jugosllave, atëherë kjo do të shërbente si frenues ndaj sulmit grek, për të cilin jugosllavët qenë të bindur se do të ndodhte. Gjenerali jugosllav Kupreshanin, i cili solli letrën e Titos, i dha Hoxhës edhe detaje për atë që jugosllavët prisnin të ndodhte:
       Kemi të dhëna se në Greqi po përfundojnë përgatitjet për një sulm, i cili fillimisht do të drejtohet kundër kufijve tuaj të jugëlindjes... Kemi të dhëna se në të njëjtën kohë mund të fillojnë goditje edhe nga ana e detit. Forcat agresive greke, të mbështetura edhe nga forcat dhe nga mjetet e anglo-amerikanëve, do të përpiqen që me një goditje të shpejtë e të përgjithshme ta thyejnë mbrojtjen tuaj dhe pastaj të penetrojnë në thellësi. Në këto kushte udhëheqja jonë, tepër e shqetësuar dhe besnike ndaj detyrimeve që i ngarkon Traktati i miqësisë e i bashkëpunimit reciprok, mendon që të merren një sërë masash urgjente.[cxxix]
      Nëse Greqia do të pushtonte Shqipërinë e Jugut, atëherë për Jugosllavinë kjo do të ishte një humbje e dyfishtë. Përveç shpresës që të fitonte guerrilja komuniste në Greqi, nga e cila Jugosllavia donte të përfitonte aneksimin e territoreve të rivendikuara në Greqi, Jugosllavia do të humbte një pjesë të madhe të Shqipërisë, së bashku me Vlorën që kontrollonte Kanalin e Otrantos, rrugëdaljen e Jugosllavisë në Mesdhe. Jugosllavët donin të evitonin si njërën humbje, ashtu dhe tjetrën. Për këtë qëllim ata donin që të sillnin forcat e tyre ushtarake në Shqipëri, jo se donin që të pushtonin Shqipërinë. Sikur të ishte fjala për të pushtuar Shqipërinë nën pretekstin e rrezikut grek, kjo do të kishte sens të bëhej nëse në Tiranë do të kundërshtohej lidhja federale e Shqipërisë me Jugosllavinë. Por në Tiranë kishte një garë mes udhëheqësve shqiptarë, Hoxhës e Xoxes, se kush të tregohej më projugosllav dhe të avanconte agjendën jugosllave të aneksimit të Shqipërisë. Përse do të duhej në këtë rrethanë që jugosllavët t’ i komplikonin gjërat, duke futur forcat ushtarake në Shqipëri, para se të bëhej lidhja federale mes dy vendeve? Regjimi në Shqipëri e kontrollonte vendin me dorë të hekurt dhe qe në gjendje të shtypte çdo reagim ndaj këtij zhvillimi të papëlqyer për popullin shqiptar. Hoxha e rrëfen kështu në kujtimet e veta reagimin e tij ndaj kërkesës jugosllave:
       I bindur se ndodhesha përballë një rreziku të madh e me pasoja nga më të hidhurat, për herë të parë vendosa të bëj një veprim vetëm «me kokën time». Nëpërmjet ambasadës sovjetike vura në dijeni Stalinin për çka na kërkonte Titoja dhe në pritje të përgjigjes me shumë mundim arrita që hëpërhë të mos shtrohej në Byro propozimi për ardhjen e divizionit jugosllav.[cxxx]
      Nëse kërkesa jugosllave kishte ato pasoja që thotë Hoxha, atëherë del se vetë Traktati i Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, të cilin për palën shqiptare e nënshkroi Hoxha e vuri Shqipërinë- po të shprehem në termat e Hoxhës «përballë një rreziku të madh e me pasoja nga më të hidhurat», për shkak se qenë dispozitat ushtarake të traktatit, të cilat i kam cituar më lart në këtë libër, të cilat jepnin justifikimin legal Jugosllavisë për të kërkuar ardhjen e ushtrisë së saj në Shqipëri. Në anën tjetër, edhe situatën e rrezikshme që e kishte shtyrë Jugosllavinë të kërkonte të sillte trupat e saj në Shqipëri, e kishte krijuar vetë regjimi i Hoxhës duke e implikuar Shqipërinë në aventurën e mbështetjes së guerriljes komuniste greke. 
      Por historia e kërkesës jugosllave për ardhjen e divizionit është ndryshe nga ç’ thotë Hoxha më lart në kujtimet. E vërteta del kur Hoxha ve në dijeni Byronë Politike për çështjen në fjalë, në 3 mars 1948, pesë javë pasi Hoxha mori letrën e Titos:
       Për mbrojtjen e kufijve tanë do të vinte një divizion jugosllav në Korçë. Për këtë na lajmëroi Rankoviçi dhe më vonë Titoja si për divizionin, ashtu dhe shpalljen e zonës së Korçës zonë në gjendje lufte. Mareshalit iu përgjigjëm po, dhe morëm masat duke spostuar divizionin tonë më poshtë në Leskovik etj. Ishim gati për urdhrin e lëvizjes.[cxxxi]
      Gjithashtu, Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike në 25 prill 1948, do të rrëfente lidhur me çështjen e ardhjes së divizionit jugosllav:
       Ne kemi qenë plotësisht dakord për ardhjen e divizionit, por kemi vënë në dijeni qeverinë sovjetike sa për informacion (a titre d’ information) dhe kemi vazhduar të marrim të gjitha masat, sikundër ramë dakord. Ky veprim u ndalua nga Beogradi.[cxxxii]
      Nga dy citimet e mësipërme të fjalëve të Hoxhës del se ky dhe Xoxe, se pjesa tjetër e Byrosë Politike nuk qe në dijeni me përjashtim të Kristo Themelkos që kishte qenë në Beograd dhe qe informuar nga Tito, e pranuan kërkesën e Titos për ardhjen e divizionit jugosllav në Shqipëri dhe vepruan me shpejtësi për të bërë përgatitjet e duhura për ardhjen e divizionit. Por këtu befas Hoxha dhe Xoxe shkunden dhe fillojnë të mendojnë në mënyrë më të kthjellët. Ata të dy, secili më vete, tremben nga implikimet që mund të sillte kjo çështje. Atyre me sa dukej nuk u bëhej vonë se ushtria jugosllave do të pushtonte Shqipërinë (jugosllavët thoshin se do të vinte një divizion, por kush do t’ i numëronte se sa ushtarë do të vinin vërtet), por kanë dyshuar se mos ardhja e ushtrisë jugosllave në Shqipëri, sidomos në rajonin e nxehtë dhe delikat të Korçës, do të çonte në një luftë greko-jugosllave në territorin shqiptar. Nuk ishte e vështirë që të parashikohej se në rast të një lufte të tillë, do të ndërhynin amerikanët- këta të fundit pas Doktrinës Truman të vitit të kaluar qenë shumë aktivë në Greqi, duke marrë atje rolin që deri më atëherë e kishin pasur britanikët.
      Hoxha dhe Xoxe u trembën se mos Shqipëria pushtohej nga forcat greke dhe ato amerikano-britanike, çka do t’ i detyronte dy krerët e regjimit që të arratiseshin në Jugosllavi, ku nuk do të qenë të sigurt, jo vetëm se me shumë gjasë edhe vetë Jugosllavia me këtë rast do të invadohej nga amerikanët, por edhe se Tito do të kërkonte të gjente fajtorë për disfatën, në mënyrë që të shfajësonte veten, dhe nuk ishte çudi që të fajësonte Hoxhën dhe Xoxen, siç bëri Musolini që ua vuri shqiptarëve fajin për humbjen e Luftës Italo-Greke. Nëse gjërat do të shkonin më keq dhe të gjithë bashkë, Tito, Hoxha dhe Xoxe do të detyroheshin të arratiseshin në Bashkimin Sovjetik, atëherë atje Stalini, nuk do të hezitonte që t’ i eliminonte të gjithë, për t’ i dhënë Perëndimit të kuptonte se ai nuk kishte përgjegjësi për atë që kishte ndodhur. Në këtë rrethanë, Hoxha dhe Xoxe, për herë të parë, vendosin së bashku që të ndërmarrin një veprim që bie ndesh me një kërkesë të jugosllavëve. Hoxha e tregon kështu vazhdimin e kësaj historie, në mbledhjen e Byrosë Politike të 3 marsit 1948:
       Pas dy ditësh, ne menduam që për këtë situatë të njoftonim sovjetikët për masat që kishim marrë dhe për ç’ kishim bërë me jugosllavët. Sovjetët thanë se i kishim lajmëruar vonë dhe se për këto do të njoftojnë. Vjen përgjigjia që qeveria sovjetike nuk kishte dijeni dhe se ajo dyshon për rrezikun. Qeveria jugosllave nuk e kishte njoftuar. Ne i kishim njoftuar se prisnim urdhrat për të lëvizur forcat, sipas bisedimit me jugosllavët. Më vonë nga Beogradi erdhi urdhri që plani ndalohej dhe ne e lamë.[cxxxiii]
      Hoxha nuk i shpjegon Byrosë Politike se përse edhe ky vendim u mor pas shpinës së saj, dhe askush nga politbyroistët nuk e pyet për këtë gjë. As Xoxe nuk e kundërshton Hoxhën, kur ai i atribuon vendimin e përbashkët për të vënë në dijeni sovjetikët, çka provon vërtetësinë e fjalëve të Hoxhës. Pra, Hoxha nuk e ka shtyrë informimin e Byrosë Politike se kishte frikë se mos ajo e pranonte ardhjen e divizionit jugosllav, por të dy së bashku, me Xoxen, kanë vendosur që divizioni të vinte, pa e përfillur Byronë Politike, dhe pastaj po së bashku kanë vendosur që të venë në dijeni Legatën Sovjetike. Duket se ka qenë Hoxha ai që i ka sugjeruar Xoxes që të venë në dijeni Legatën Sovjetike dhe të presin se ç’ përgjigje do të vijë nga Moska. Si Hoxha, ashtu dhe Xoxe e shikonin se midis Moskës dhe Beogradit kishin filluar përplasjet për Shqipërinë, ose më saktë Shqipëria përdorej nga Bashkimi Sovjetik si ekspedient në përplasjet që kishte filluar të kishte me Jugosllavinë për çështje të tjera, çka i bënte të besonin se kumti i tyre nuk do të binte në vesh të shurdhër në Moskë. Sovjetikët iu përgjigjën shqiptarëve në terma shumë të butë, krejt në shpërpjestim me tërbimin që kishte shkaktuar në Moskë kërkesa jugosllave ndaj Shqipërisë. Ndaj Tiranës Moska nuk shprehet drejtpërdrejt nëse duhet të vijnë ose jo trupat jugosllave në Shqipëri, por deklaron thjesht se nuk mendon se ekziston rreziku për të cilin flasin jugosllavët. Duke konsideruar ato që Stalini u ka thënë jugosllavëve që në janar 1945, se nuk ia vlente të luftohej për Shqipërinë me Britaninë e Madhe (në 1948 ishte fjala për luftë edhe me SHBA), mund të thuhet se përgjigjia sovjetike nuk reflektonte bindjen e Moskës për shkallën e rrezikut me të cilin përballej Shqipëria, por kujdesin e Moskës që të mos gjendej e implikuar, për shkak të aventurës ushtarake jugosllave në kufirin shqiptaro-grek, në një konflikt me fuqitë perëndimore, gjë që mund të ndodhte për shkak se Bashkimi Sovjetik kishte me Jugosllavinë një traktat që përmbante dhe dispozita ushtarake. Kjo do të rezultonte nga reagimi që bëri Moska në adresë të Beogradit për këtë çështje.
      Hoxha thotë, siç e kam cituar më lart në këtë libër, se ai dhe Xoxe e njoftuan Moskën për kërkesën jugosllave dy ditë pasi morën letrën e Titos, pra në 28 janar 1948. Moska u vu saora në lëvizje. Po atë ditë ministri sovjetik i Punëve të Jashtme, Molotov, sigurisht me urdhër të Stalinit, i tha ambasadorit sovjetik në Beograd, Lavrentiev, t’ i njoftonte Titos se:
       Në Moskë janë vënë në dijeni se Jugosllavia ka në plan që së shpejti të çojë një divizion në Shqipëri, në kufirin jugor të saj. Derisa Moska nuk është njoftuar për këtë nga Jugosllavia, Molotovi kërkon të dijë nëse kjo gjë është e vërtetë. Moska druhet se nëse në Shqipëri hyjnë trupat jugosllave, anglosaksonët do ta konsiderojnë këtë si pushtim të Shqipërisë. Në këtë rast ka mundësi që anglosaksonët, me pretekstin e mbrojtjes së pavarësisë së Shqipërisë, ta përdorin për ndërhyrje ushtarake. Moska lut për sqarime.[cxxxiv]
      Stalini ishte zemëruar se Tito ishte bërë i paparashikueshëm, madje në një mënyrë të tillë që implikonte Bashkimin Sovjetik në konflikte ndërkombëtare, në shkallë të gjerë, çka Stalini kishte dashur që ta evitonte me çdo mënyrë që nga viti 1945. Stalini e kuptonte se, SHBA dhe Britania e Madhe, të cilat e shikonin Jugosllavinë si satelit të Bashkimit Sovjetik, gjë që nuk duhej ta habiste Stalinin derisa mes dy vendeve ekzistonte një traktat me dispozita që përbënin një aleancë ushtarake, nuk mund ta pranonin pushtimin e Shqipërisë nga Jugosllavia, çka do të thoshte që ushtria jugosllave të dilte në Otranto dhe në Kanalin e Korfuzit. Stalini vërtet kishte folur për aneksimin e Shqipërisë nga Jugosllavia, por ai qartësisht nuk kishte pasur parasysh që kjo gjë të fillonte nga rrafshi ushtarak, madje këtë me sa duket e kishte menduar të fundit. Stalini kishte menduar se përshtypjet e aneksimit do të zbuteshin nga modalitetet e tij. Siç do të shprehej hapur Stalini pak më vonë, ai i druhej më tepër faktit që Bashkimi Sovjetik do të duhej të merrte përgjegjësinë për aventurat e jugosllavëve, për shkak të traktatit që ekzistonte ndërmjet dy vendeve. Tito e priti ambasadorin sovjetik të nesërmen dhe i ktheu përgjigje të cilën ambasadori sovjetik ia përcolli Moskës kështu:
       Ai nuk ndan të njëjtin mendim me Moskën mbi rreziqet qe vijnë nga reagimi i anglosaksonëve. Nuk përjashtohet që të ketë zhurmë në shtyp... por në qoftë se Bashkimi Sovjetik çmon se është oportune që ky veprim të mos kryhet, Jugosllavia do ta zbatojë këtë sugjerim. Megjithatë, nëse Greqia do të invadojë Shqipërinë e Jugut, atëherë këtë çorbë të gatuar së bashku, do të detyrohemi që ta hamë së bashku, Jugosllavia e Bashkimi Sovjetik.[cxxxv]
      Kështu Tito i tha Stalinit se kishte më tepër mundësi që anglosaksonët të implikoheshin në luftë me Jugosllavinë nëse Jugosllavia do të detyrohej të hynte në luftë ndaj Greqisë nëse kjo invadonte Shqipërinë e Jugut. Dhe kjo kishte më tepër gjasa të ndodhte në rast se në Shqipëri nuk kishte trupa jugosllave. Tito i bënte të qartë Stalinit se në këtë rast, Jugosllavia priste që Bashkimi Sovjetik të merrte përgjegjësinë për situatën e krijuar për fajin e tij dhe të mbështeste Jugosllavinë. Përgjigjia e Titos ishte pra një shantazh i kamufluar ndaj Stalinit që ky të aprovonte dislokimin e trupave jugosllave në Shqipëri. Kështu duhet të jetë perceptuar përgjigjia e Titos në Moskë se Stalini u tërbua krejt prej saj. Aq më tepër Stalini është fyer nga fakti se Tito,  në përgjigjen e vet guxon t’ i japë atij, leksione në analizën e marrëdhënieve ndërkombëtare sipas parimit risk-përfitim,  kur tashmë bota mbarë e mbante Stalinin si mjeshtrin më të madh të kohës në këtë zeje cinike.
      Stalini, i cili kishte dhuntinë që në analizën e zhvillimeve ndërkombëtare bashkëkohore të shihte paralele historike, ndoshta ka parë në këtë që po ndodhte mes tij dhe Titos një deja vu serbo-ruse të vitit 1914. Rusia cariste ishte shkatërruar për shkak se kishte hyrë në Luftën e Parë Botërore, ku qe implikuar ngase kishte respektuar aleancën që kishte me Serbinë, duke e mbështetur këtë pa kushte në konfliktin e saj me Austro-Hungarinë. Kjo kishte bërë që Rusia të gjendej në luftë edhe me Gjermaninë. Kjo ngjarje e së shkuarës duhet të ketë nxitur një lloj supersticioni tek Stalini- nëse ky kishte ndonjë lloj supersticioni qenë ato historike. Tashmë kishte rrezik që edhe Bashkimi Sovjetik të shkatërrohej, ashtu si Rusia cariste, për shkak se do të pranonte një kërkesë që vinte nga Beogradi prej sllavëve të jugut për t’ i mbështetur ata në një aventurë ushtarake, në pajtim me marrëveshjen që ekzistonte mes dy vendeve. A mos edhe Bashkimi Sovjetik do të gjendej papritur në luftë me SHBA dhe Britaninë e Madhe për shkak të Jugosllavisë? Për Stalinin, ish-seminaristin ortodoks, ky ishte ekuivalenti i Apokalipsit. Rusia cariste i kishte kapërcyer hezitimet që kishte për të hyrë në luftë në krah të Serbisë, me atë se reputacioni i saj do të kompromentohej përgjithmonë, në rast se braktiste motrën e vogël sllave, Serbinë. Stalini, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj kishte kultivuar pansllavizmin, nuk do të donte që të gjendej në situatën kur do ta braktiste Jugosllavinë e implikuar në një luftë me fuqitë perëndimore, por nuk mund t’ ia lejonte vetes këtë luks që e kishte shkatërruar dikur Car Nikollën II. Ky supersticion duhet të ketë qenë vendimtar në braktisjen që Stalini do t’ i bënte pak më pas Jugosllavisë, dhe shenjat e së cilës u duken kur në 1 shkurt nga Moska në Beograd shkoi një telegram i ashpër në adresë të Titos, i cili telegram mbante firmën e Molotovit, por që qartësisht ishte diktuar nga Stalini. Telegrami zbulon se Shqipëria kishte fituar befas një impakt të madh në dinamizimin e prishjes sovjeto-jugosllave:
       Shokut Tito,
Nga biseda që patët ju me shokun Lavrentiev del se ju e konsideroni normale situatën që Jugosllavia, e cila ka një Traktat Miqësie dhe Ndihme Reciproke me Bashkimin Sovjetik, i lejon vetes që jo vetëm të mos këshillohet me Bashkimin Sovjetik për çuarjen e trupave të saj ushtarake në Shqipëri, por madje edhe të mos e informojë Bashkimin Sovjetik për këtë gjë, sipas rregullit që është vendosur midis nesh. Sa për dijeni, ju bëj të ditur se qeveria sovjetike, në mënyrë krejt rastësore, nga një bisedë private me zyrtarë shqiptarë, ka ardhur në dijeni për vendimin e qeverisë jugosllave për çuarjen e trupave tuaja në Shqipëri. Nëse për ju kjo është një gjë normale, më duhet të deklaroj me porosi të qeverisë sovjetike se Bashkimi Sovjetik nuk mund të pranojë që ju ta vini para faktit të kryer. Dhe është e qartë se Bashkimi Sovjetik, edhe pse është aleat i Jugosllavisë nuk mund të marrë përgjegjësi për pasojat e veprimeve të tilla, të kryera nga qeveria jugosllave, pa këshillim, madje pa informuar qeverinë sovjetike. Shoku Lavrentiev na ka bërë të ditur se ju keni hequr dorë nga ideja e dërgimit të trupava tuaja ushtarake në Shqipëri, gjë që ne do ta konsiderojmë. Megjithatë, është e qartë se mes dy qeverive tona ka mospajtime serioze për sensin e marrëdhënieve reciproke mes dy vendeve tona, të konceptuara si marrëdhënie midis aleatësh.[cxxxvi]
      Në Beograd me sa duket ende nuk e kuptonin se Stalini të gjitha këto i kishte shumë seriozisht. Kjo duket nga fakti se jugosllavët i kërkuan Hoxhës që t’ i drejtohej Moskës edhe një herë, duke i kërkuar që të miratonte ardhjen e trupave ushtarake jugosllave në Shqipëri. Kjo ishte një detyrë që i përshtatej natyrës prej komediani të Hoxhës. Se Hoxha nuk do të ishte Hoxha po të mos e shndërronte çdo dramë në komedi. Ai e tregon kështu vazhdimin e kësaj historie, në mbledhjen e Byrosë Politike të 3 marsit 1948:
       Gjenerali iku në Beograd dhe u kthye përsëri... Qeveria jugosllave, tha Gjenerali (më tepër ishte mendimi i tij), qëndron në planin e parë. I këtij mendimi është edhe Mareshali (Tito- shënimi im: K.M.), por kjo varet nga Shqipëria, për ardhjen e divizionit po kështu. «Duhet të jeni më energjikë se është çështja juaj». Ne i thamë se kemi mbajtur qëndrim të prerë, por po të jetë nevoja, bëjmë kërkesë te qeveria sovjetike për ndryshimin e vendimit.[cxxxvii]
      Gjenerali Kupreshanin, pasi erdhi përgjigjia nga Moska, shkoi në Beograd për të marrë udhëzime dhe u rikthye me përgjigjen e Titos, që insiston për ardhjen e divizionit jugosllav në Shqipëri. Por, derisa tashmë në këtë çështje ishte implikuar Moska, Tito nuk donte që të dukej sikur qenë jugosllavët që ua kërkonin me të madhe shqiptarëve këtë gjë, por të dukej sikur vetë shqiptarët qenë shumë të interesuar për këtë çështje, prandaj qenë ata që i drejtoheshin Moskës për ardhjen e divizionit jugosllav. Qartësisht, Tito nuk donte që Stalini të mendonte se jugosllavët donin të ndërmerrnin një aventurë në kufirin shqiptaro-grek, çka do t’ i shqetësonte sovjetikët për shkak të implikimeve që sillte traktati sovjeto-jugosllav. Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike në 25 prill 1948, do të tregonte për kërkesën që iu bë Moskës nga Tirana në shkurt 1948, duke i kërkuar këtë herë që të shprehej pro ardhjes së trupave jugosllave në Shqipëri:
       ne e bëmë sepse ashtu e shtronin çështjen ata (jugosllavët). Ishte presion i madh nga ana e tyre, pse e shtronin çështjen se qeveria jugosllave nuk do të mund të ndërhynte në kohë, pasi do të ishte e vështirë. Po nga ana e tyre shtrohej dhe çështja e Aleancës dhe se Bashkimi Sovjetik mund të sakrifikojë Shqipërinë.[cxxxviii]
      Jugosllavët i pohuan kështu udhëheqjes shqiptare një të vërtetë të cilën Stalini ua kishte thënë jugosllavëve që në 1945, se sovjetikët mendonin se nuk ia vlente që Jugosllavia të luftonte për Shqipërinë. Hoxha vazhdon ta tregojë kështu historinë në mbledhjen e Byrosë Politike në 3 mars 1948:
       Thërritëm sovjetikët, unë dhe Koçi, dhe u thamë gjithë situatën tonë, armatimin etj. Ne u thamë se në rast konflikti, ne nuk mund ta mbajmë dot luftën. Ne deshëm që qeveria sovjetike ta shikonte vendimin për ardhjen e divizioneve jugosllave.[cxxxix]
      Hoxha dhe Xoxe, duke pasur natyrën e lakeut, i cili bën gjithçka për ta parë përsëri të kënaqur padronin, të cilin e ka mërzitur me sjelljen e tij, iu drejtuan përsëri Moskës, duke e konsideruar përgjigjen evazive të Moskës si një vendim, të cilin ata kërkonin që të rishikohej. Në fakt qeveria sovjetike nuk kishte marrë ndonjë vendim për këtë çështje, çka e pohon dhe Hoxha në një citim të mësipërm, por thjesht qe shprehur tërthorazi kundër ardhjes së trupave jugosllave në Shqipëri. Ajo çka të bën përshtypje këtë është fakti se Hoxha flet për divizione, në shumës, dhe jo për një divizion të vetëm. Ky nuk është një lapsus, po të konsiderojmë atë që udhëheqësi jugosllav Edvard Kardelj i thotë Gjilasit në Moskë, në shkurt 1948:
       Kardeli më tha se shkaku i drejtpërdrejtë i grindjeve me Moskën ishte marrëveshja midis qeverisë jugosllave e shqiptare për futjen në Shqipëri të dy divizioneve jugosllave. Divizionet ishin duke u përgatitur, ndërsa një regjiment i aviacionit tonë ndodhej tashmë në Shqipëri.[cxl]
      Pra është e qartë se fjala «divizion»përdorej si konvencion, por në të vërtetë nuk ishte fjala për një divizion të vetëm. Madje tashmë në Shqipëri kishte ardhur një regjiment aviacioni jugosllav dhe po t’ i shtojmë atij dhe 3000 specialistët ushtarakë jugosllavë, të cilët gjendeshin në Shqipëri, në shkurt 1948, sipas një informacioni të besueshëm jugosllav që e kam sjellë më lart në këtë libër, atëherë del se në Shqipëri tashmë kishte një forcë të madhe ushtarake jugosllave.
      Kriza sovjeto-jugosllave, për çështjen e ardhjes së trupave jugosllave në Shqipëri, u bë shkak që Stalini të tërhiqte përkohësisht koncesionin që u kishte bërë në janar  jugosllavëve për aneksimin e Shqipërisë. Në shkurt 1948 Stalini thirri në Moskë udhëheqësit jugosllavë dhe bullgarë për bisedime trepalëshe në lidhje me federatën ballkanike që kërkonin të bënin Jugosllavia dhe Bullgaria. Nga ana bullgare, ashtu si dhe nga ana sovjetike, pjesëmarrësit në bisedime qenë të nivelit më të lartë, vetë Gjergj Dimitrov, Kollarov, Kostov. Stalini në fakt kishte ftuar Titon, por ai nuk shkoi. Në Moskë shkuan nga Beogradi Kardelj e Bakariç, si pjesë të një delegacioni jugosllav të nivelit të lartë, të cilët së bashku me Gjilasin, do të merrte pjesë në bisedimet trepalëshe, që u bënë në 10 shkurt 1948. Delegacioni jugosllav kishte prirjen që ta shuante konfliktin sovjeto-jugosllav që kishte lindur, por Stalini nuk e pranoi këtë. Gjilas jep këtë shkëmbim replikash mes kryetarit të delegacionit jugosllav, Kardelj dhe Stalinit:
       -Përveç ndonjë vërejtjeje të vogël, që ne e pranuam, vazhdon Kardeli, nuk ka patur mosmarrëveshje tjetër.
      -Gjepura! Divergjenca ka, e të thella madje! Ç’ do të na thoshit në lidhje me Shqipërinë? Ju as që jeni konsultuar me ne për futjen e trupave në Shqipëri!
      Kardeli kundërshtoi duke thënë se e kishin pëlqimin e qeverisë shqiptare.
      Stalini thërret i nxehur në kulm:
     -Kjo mund të shkaktonte ndërlikime ndërkombëtare serioze- Shqipëria është vend i pavarur! Pse, ç’ kujtoni ju? Justifikohuni si të doni, fakti mbetet fakt- ju nuk jeni konsultuar me ne për dërgimin e dy divizioneve në Shqipëri![cxli]
      Ajo që e kishte tërbuar më tepër Stalinin ishte fakti që nga Tirana kishte ardhur kërkesa që Moska të miratonte dërgimin e trupave jugosllave në Shqipëri, çka Stalini e shikonte si një reng që i luanin jugosllavët atij me anë të Hoxhës e Xoxes. Pas këtij reagimi të Stalinit, jugosllavët bënë një tërheqje, dhe sipas manualit stalinian, ua lanë fajin shqiptarëve për këtë që kishte ndodhur. Hoxha e tregon  kështu historinë në mbledhjen e Byrosë Politike në 3 mars 1948:
       Menjëherë Savoja (Zllatiç- K.M.) thirri Koçin dhe i tha se nuk ishte mirë që qeveria shqiptare ta kërkonte këtë nga Bashkimi Sovjetik, se kjo do të vinte si një nxitje dhe sillte komplikacione. Për gjendjen luftarake ne i kishim marrë masat, ne ua kishim thënë sovjetikëve. Ata na pyetën se mos ishim shtyrë nga jugosllavët. Përgjigjia sovjetike ishte kjo: Në lidhje me vendimin e fundit qeveria sovjetike nuk merr përgjegjësi këshillimi, sa kohë që qeveria jugosllave nuk e ka ngritur këtë çështje pranë nesh dhe sa kohë që ajo po i dërgon forcat.[cxlii]
      Sovjetikët këtë herë praktikisht u thanë hapur shqiptarëve se qenë nxitur prej jugosllavëve për t’ i kërkuar Moskës që të miratonte ardhjen e trupave jugosllave në Shqipëri. Sovjetikët nuk e gjetën të arsyeshme edhe këtë herë t’ u thonë shqiptarëve më tepër se herën e parë, duke u lënë të kuptojnë se këtë çështje Moska do ta diskutojë drejtpërdrejt me Beogradin. Pasi u duk qartë se çështja e divizionit ishte mbyllur dhe tashmë as Moska dhe as Beogradi nuk pëlqenin që të dëgjonin më për të, Xoxe në mbledhjen e Byrosë Politike të 3 marsit 1948 do të bënte për herë të parë diçka që lehtësonte Hoxhën:
       Për të ndërhyrë pranë qeverisë sovjetike e ngritën çështjen dhe insistuan Shulja dhe Beqiri.[cxliii]
      Xoxe këtu, më tepër se për të mbrojtur Hoxhën, e kishte hallin për të mbrojtur veten, se këto veprime Hoxha i kishte ndërmarrë së bashku me të. Nga sa tha Xoxe më lart kuptohet se çështja vazhdoi të diskutohet mes një klike ad hoc prej katër vetësh, ku bëjnë pjesë Hoxha, Xoxe, drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, Kristo Themelko dhe shefi i Shtatmadhorisë, Beqir Balluku. Byroja Politike u vu në dijeni vetëm pasi gjërat kanë përfunduar. Në bisedimet e 10 shkurtit 1948 në Moskë, Stalini, duke dashur t’ i jepte Titos të kuptonte se dëshirat e Beogradit mund të përmbusheshin vetëm kur të dëshironte Moska, pezulloi projektin e lidhjes federale mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, duke u kujtuar jugosllavëve se ai u kishte kërkuar që të bëhej lidhja federale mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë. Milovan Gjilas e rrëfen kështu këtë episod në kujtimet e veta:
       Stalini vazhdoi:
Bashkim doganor, federatë midis Rumanisë e Bullgarisë- të gjitha janë marrëzi! Tjetër gjë është federata midis Jugosllavisë, Bullgarisë e Shqipërisë. Këtu ekzistojnë lidhje historike e të tjera. Kjo federatë duhet krijuar, sa më shpejt aq më mirë. Po, sa më shpejt aq më mirë- menjëherë, po të jetë e mundur që, që nesër. Po, po, që nesër, po të ketë mundësi! Dhe merruni vesh menjëherë për këtë.
Dikush- më duket se Bakariçi- tha se po punohet për krijimin e federatës jugosllavo-shqiptare.
Por Stalini saktësoi:
-Jo në fillim midis Bullgarisë e Jugosllavisë; dhe pastaj me Shqipërinë.[cxliv]
      Pra, Stalini udhëzoi me ton të fortë që të bëhej e kundërta e asaj që donin jugosllavët. Jugosllavët nuk dukeshin entuziastë për lidhjen federale me Bullgarinë dhe e shikonin atë si një projekt për të cilin duhet të shtireshin sikur po punonin, për të kënaqur Stalinin, gjë që ky e kuptonte dhe e bëri të qartë se nuk do ta toleronte. Kjo u kuptua nga fjalët që shkëmbyen Kardeli dhe Stalini në fund të bisedës, të cilat na i sjell Gjilas në kujtimet e veta:     
       Kardeli theksoi se në Bled gjithashtu ishte vendosur që të veprohej gradualisht në drejtim të krijimit të federatës midis Bullgarisë e Jugosllavisë, po Stalini e ndërpret duke saktësuar:
      -Jo, jo gradualisht, po menjëherë po të ketë mundësi- që nesër. Në fillim duhet të bashkohen Bullgaria e Jugosllavia dhe pastaj atyre t’ u bashkëngjitet dhe Shqipëria.[cxlv]
      Stalini ua bëri të qartë jugosllavëve se nga hapat që do të bënin ata në bashkimin me Bullgarinë varej dhe përmbushja e dëshirës së tyre për aneksimin e Shqipërisë. Përshtypjen që krijuan jugosllavët nga biseda me Stalinin e shpreh Gjilas në kujtimet:
       Biseda për federatën me Bullgarinë e Shqipërinë ishte një dredhi për të na futur në grackë, ishte një litar në kokën tonë.[cxlvi]
      Në këtë pikëpamje qenë si kroati Tito e slloveni Kardel, dyshimet e të cilëve tek sugjerimi i Stalinit duket se vinin për shkak të përkatësisë së tyre katolike (ata nuk mund të mos shihnin tek sugjerimi i Stalinit dëshirën për të rritur në maksimum peshën e ortodoksëve në federatën e sllavëve të jugut), ashtu edhe serbi Rankoviç dhe malazezi Gjilas. Në fakt serbët kishin pasur historikisht frikë nga Bullgaria, bashkimin e së cilës ata qenë përpjekur ta ndalnin me luftë në fund të shekullit XIX dhe kishin pësuar një disfatë të hidhur. Mungesa e dukshme e dëshirës së udhëheqjes jugosllave për të bërë hapa në lidhjen federale me Bullgarinë, pas bisedimeve të 10 shkurtit në Moskë, do të bëhej shkaku iminent që Stalini të prishte marrëdhëniet me Jugosllavinë gjatë muajit mars.       


6.
Prova gjenerale e gjyqit-spektakël të Enver Hoxhës: Plenumi VIII

      Derisa bisedimet e 10 shkurtit në Kremlin e ndaluan finalizimin e agjendës jugosllave për aneksimin e Shqipërisë, jugosllavët, të cilët për momentin nuk mund të bënin më lëvizje në këtë drejtim, vendosën që të avancojnë interesat e tyre në Shqipëri në një politikë me dy shina. Njëra qe spastrimi i butë i forumeveve drejtuese të partisë dhe i zyrave të rëndësishme të shtetit, nga njerëzit e Spirut dhe Hoxhës, prosovjetikët, ndërsa shina tjetër qe anëtarësimi në forumet partiake dhe emërimi në poste qeveritare i njerëzve të pëlqyeshëm për tad he Xoxen. E gjithë kjo do të bëhej nën pretekstin e zhdukjes së frymës mikroborgjeze që ishte futur në udhëheqje prej njerëzve me origjinë mikroborgjeze, dhe futjes së frymës proletare që do të bëhej duke u ngritur më tepër punëtorë në udhëheqje. Ndaj  Hoxhës do të vazhdonte trajtimi sipas demonologjisë staliniane, duke u kritikuar dhe detyruar që të bënte autokritikë, por nuk do të eliminohej ende, madje do të prekej, por do të përdorej në të dyja këto gjëra, se tashmë kishte  një kujdes më të madh për procedurat. Për zbatuar këtë plan të jugosllavëve u thirr në fund të shkurtit 1948 Plenumi VIII i Komitetit Qendror. Para tij, Byroja Politike kishte marrë vendime për emërime në poste të larta partiako-shtetërore, të cilat Komitetit Qendror thjesht do t’ i bëheshin të ditura si fakt i kryer. Hoxha, në përfundim të Plenumit VIII, do të komunikonte vendimet e klikës, të marra dhe të zbatuara që para fillimit të plenumit:
       Të gjithë ju jeni në korrent të masave që ka marrë Byroja në ndarjen e punës në Byro dhe për emërimet në qeveri: shoku Tuk ministër i Industrisë, shoku Nesti kryetar i Komisionit të Planit dhe përgjegjës për çështjet ekonomike në Byro; shoqja Naxhije ministre e Arsimit, shoku Shule ndihmësministër i Luftës, shoku Kiço ministër i Financave; shoku Beqir Balluku shef i Shtatmadhorisë; Rahman Parllaku drejtor politik në ushtri, shoku Sotir Kamberi sekretar politik i KC të Rinisë dhe Koço Titka sekretar organizativ i KC të Rinisë; shoku Petro Papi President i Sindikatave; Xhoxhi Blushi drejtor i Drejtorisë së Organizim-Inspektimit të KC të Partisë; shoku Manush Myftiu drejtori i Drejtorisë së Propagandës, Bajram Sinojmeri drejtor i Drejtorisë së Kuadrit.
Byroja është përpjekur dhe gjeti rrugën më të drejtë. Koha do të tregojë se sa të drejta janë këto vendime; ne duhet të ndihmojmë që të kryen mirë. A i gjeni të arsyeshme këto vendime të Byrosë?[cxlvii]
      Në proces-verbal është shënimi:
      Të gjithë janë dakord.[cxlviii]
      Siç shihet klika në krye të partisë ilegale ka marrë vendime për gjithë shtetin. Nga ato që tha Hoxha më lart del se qeveria dhe udhëheqja në përgjithësi është bërë më «proletare» dhe mjaft portofole qeveritare kanë kaluar nga duart e surrogat-intelektualëve në ato të punëtorëve. Postin në qeveri të intelektualit borgjez Spiru e ka marrë njeriu i Xoxes, Nesti Kerenxhi, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme për Sigurimin e Shtetit, një ish-këpucar i cili tash do të qe njeriu kryesor i regjimit për çështjet ekonomike. Ish-zdrukthari Jakova është bërë ministër i Industrisë, Postin e shefit të Shtatmadhorisë, në vend të Shehut, i cili u quajt me origjinë kleriko-kulake, e mori punëtori Beqir Balluku. Postin e Spirut në krye të Rinisë komuniste e ka marrë punëtori Sotir Kamberi. Postin e intelektualit Ramadan Çitaku, si ministër i Financave e ka marrë një ish-roje banke, Kiço Ngjela. Vetëm një intelektual është toleruar që të ngrihet në post dhe ky nder special i është bërë fjalimshkruesit të Xoxes, Manush Myftiu, i cili është bërë Drejtor i Drejtorisë së Agjitacion-Propagandës, në Komitetin Qendror. Në ndërkohë, që para plenumit Xoxe përqëndroi edhe më tepër pushtet në duart e veta, duke marrë më tepër kompetenca. Xoxe do të thoshte mbi këtë në Plenumin VIII:
       Byroja bëri organizimin e ri të ish-Seksionit të Organizimit. Ky mori tashi më shumë kompetenca e detyra me një aparat, për t’ u interesuar më tepër për problemet, duke pasur kujdes që të mos bëhet dikaster.[cxlix]
      Seksioni i Organizimit në Komitetin Qendror ishte aparati në varësi të Sekretarit organizativ të Komitetit Qendror që ishte Xoxe. Me ndryshimet e bëra, Xoxe e shndërroi seksionin organizativ në Drejtori të Organizimit në Komitetin Qendror. Tashmë ai do të ishte praktikisht jo më një dikaster, siç thotë Xoxe, duke kuptuar me këtë fjalë një ministri, por një superdikaster, një lloj ministrie e plotfuqishme e emërimit dhe kontrollit të kuadrove partiako-shtetërore. Hoxha tashmë e kishte frikë dhe e urrente Xoxen më tepër se kurrë. Si ç’ bën me të gjithë kundërshtarët e tij, Hoxha edhe Xoxen e fyen dhe e poshtëron për pamjen dhe fizikun e tij, deri edhe në terma raciste:
       Më vjen në një nga ato ditë Xoxja, ashtu i zi, i shkurtër, rondokop e me sy të fryra si të bretkosës.[cl]
      E të mendosh pastaj se në vitin 1982, kur u botua ky libër, racizmi në Shqipëri ishte një krim që dënohej rreptë nga Kodi Penal?! Kjo ishte një provë se regjimi nuk i merrte seriozisht as ligjet që kishte nxjerrë vetë.
      Plenumi VIII i Komitetit Qendror të PKSH, i cili filloi në 26 shkurt 1948, ishte i ngjashëm me një gjyq-spektakël stalinian, të llojit të proceseve politike të Moskës, të viteve tridhjetë, ku shkëlqyen dy personazhe, Xoxe në rolin e prokurorit dhe Hoxha në rolin e të pandehurit, që pranon akuzën dhe denoncon shokët. Qëllimi ishte që nën maskën e denoncimit të fraksionit të Spirut të bëhej gjyqi politik i Hoxhës. Hoxha u soll si i pandehuri model i gjyqeve politike të Moskës, duke pranuar të gjitha akuzat, dhe denoncuar e spiunuar bashkëpunëtorët e vet. Plenumi VIII ishte në fakt prova gjenerale e gjyqit-spektakël që Xoxe kishte ndërmend t’ i bënte së shpejti atij që e kishte quajtur «fraksioni në kokë të partisë» dhe ku i akuzuari kryesor ishte Hoxha. Përveç kësaj në këtë plenum synohej që Xoxe të merrte plotësisht nën kontroll Komitetin Qendror, duke u përjashtuar mbështetësit e Hoxhës dhe të Spirut dhe duke u bërë anëtarë të rinj nga mbështetësit e Xoxes.
      Në platformën e paraqitur për diskutim në plenum nga Byroja Politike kërkohej spastrimi i partisë jo sipas përgjegjësisë së individëve të veçantë, por sipas origjinës shoqërore të tyre:
       Për të gjetur shkaqet e thella, konditat reale që favorizuan dhe i dhanë mundësi armikut të Partisë Nako Spirut që të bëjë fraksion dhe të dëmtojë Partinë si dhe për të nxjerrë mirë detyrat dhe mësimet që do të armatosin Partinë për të luftuar me sukses kundër armikut më të rrezikshëm, frymës mikroborgjeze në Parti, Byrosë Politike dhe Komitetit Central i është dashur që të bëjë një analizë të gjatë dhe të thellë, duke u nisur që nga ditët e para të formimit të Partisë, dhe bile që nga koha e grupeve.
    Pa një analizë të tillë, e cila është e vetmja analizë e plotë që ka bërë Partia jonë nuk mund të kuptohet mirë puna armiqësore e Nako Spirut dhe e klikës së tij, sepse ajo nuk mund të shkëputet nga puna e vjetër e fraksionistëve dhe deviatorëve të Partisë, Luloja, Xhepi, Liri Gega, Ymer Dishnica, Sejfulla Malëshova. Përkundrazi, fraksioni i Nako Spirut është vazhdimi i tyre, vetëm dallohet nga të tjerët se ka qenë më i rrezikshëm në të gjitha pikëpamjet për Partinë tonë; është lufta e vazhdueshme e Partisë sonë kundër elementiti mikroborgjez, armikut të klasës, që ka për qëllim të futet e të marrë në dorë Partinë për t’ ia dorëzuar armikut ose për ta shkatërruar nga brenda.[cli]
      Siç shihet njerëzit që janë kundër partisë përcaktohen jo si individë, por si pjesëtarë të një shtrese shoqërore, mikroborgjezisë. Po vihej një postulat në parti, se kush nga anëtarët dhe udhëheqësit e partisë nuk është proletar, punëtor ose fshatar i varfër, është a priori armik i partisë, i pandreqshëm, sjellës i frymës së dëmshme në parti. Njerëzit në parti që kishin origjinë mikroborgjeze shpalleshin a priori si armiq, çka do të thotë se i tillë shpallej edhe Hoxha. Deri më atëherë nuk kishte ndodhur kjo, se shumë prej tyre ishin në udhëheqje. Kuptohej se pas një spastrimi të këtij lloji partia do të binte krejtësisht nën kontrollin e klanit të Xoxes, që përfaqësonte «frymën proletare» në parti.
      Në Plenumin VIII Hoxha u vu plotësisht në shërbim të Xoxes dhe të jugosllavëve të cilët qëndronin pas këtij të fundit, dhe, me një sadomazokizëm të qartë, drejtoi eliminimin politik të mbështetësve të deriatëhershëm të tij dhe Spirut. Në fillim të plenumit, Hoxha, në emër të Byrosë Politike, propozoi:
       Që kandidatët e Plenumit të KQ të Partisë Mehmet Shehu e Liri Belishova të mos marrin pjesë në këtë plenum.[clii]
      Ky qe një veprim i parregullt se Shehu dhe Belishova (gruaja e Spirut) kishin të drejtë të merrnin pjesë në mbledhjen e plenumit derisa nuk qenë përjashtuar nga Komiteti Qendror. Në proces-verbalin e Plenumit thuhet:
       Të gjithë dinë mbi rolin dhe punën e këtyre dy kandidatëve, prandaj Plenumi është dakord me propozimin e Byrosë.[cliii]
      Tashmë Komiteti Qendror thjesht aprovonte ato që i thoshin Hoxha dhe Xoxe, të cilët tashmë përbënin një dyshe sardonike ku Xoxe ishte xhelati dhe Hoxha viktima e predestinuar, që deri sa t’ i vinte momenti i flijimit bënte xhelatin ndaj njerëzve të tij. Në ndërkohë që Hoxha i komunikoi plenumit përjashtimin në mënyrë të parregullt të atyre që kishin të drejtë të qenë të pranishëm, ai i bëri të ditur lejimin e pjesëmarrjes së atyre që nuk kishin të drejtë të qenë të pranishëm. Në proces-verbalin e Plenumit thuhet:
       Shoku Enver propozon që, përveç anëtarëve dhe kandidatëve të KC, të marrin pjesë në këtë Plenum edhe disa shokë nga më të mirët e Partisë, të cilët janë thirrur dhe këta janë: Teki Kolaneci, Pëllumb Dishnica, Tahir Kadareja, Koço Titka, Sotir Kamberi, Adil Çarçani, Petro Papi, Haki Toska dhe Bajram Sinojmeri.[cliv]
      Plenumi, i cili me sa duket ishte gati që të pranonte edhe se toka nuk rrotullohet, nëse këtë gjë ia thoshin Hoxha dhe Xoxe, e pranoi dhe këtë. Të nëntë të thirrurit në kundërshtim me rregullat qenë nga Korça dhe Gjirokastra, krahinat e Xoxes dhe Hoxhës. Pesë veta qenë nga Korça, ndërsa katër nga nga Gjirokastra. Duket se në këtë pikë kishte një kompromis mes Hoxhës dhe Xoxes, se këta qenë njerëz të tyre. Pëllumb Dishnica, inicuesi i eliminimit të  Shehut ishte njeriu i Xoxes nga Korça. Koço Titka, Sotir Kamberi, Petro Papi qenë njerëz të Xoxes nga Korça. I tillë ishte edhe Teki Kolaneci, vartës i Xoxes në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Tahir Kadareja, Adil Çarçani, Haki Toska dhe Bajram Sinojmeri qenë të katër njerëzit e Hoxhës nga Gjirokastra. Nëse ky do të shihej si një koncesion i Xoxes për Enver, atëherë ngjante si plotësimi i dëshirës së fundit që i bëhet të dënuarit me vdekje. Por në fakt Xoxe i kishte bërë mirë llogaritë se në fakt asnjëri nga të katër gjirokastritët e ftuar nuk do ta mbronte sadopak Hoxhën në plenum, madje do ta kritikonin.
      Hoxha në fjalimin e vet në plenum do të bënte praktikisht provën gjenerale për deklaratat që do të bënte si i pandehur në gjyqin-spektakël të pritshëm. Në fjalimin e vet Hoxha shfaqi anët më perverse të natyrës së vet prej Tarasi-Herman, duke kombinuar pranimin e akuzave që i bëheshin me shprehjen e devotshmërisë ndaj Jugosllavisë, dhe me denoncimin dhe sulmet ndaj bashkëpunëtorëve të vet të deridjeshëm. Hoxha tha në fjalimin e vet në plenum:
       Ne u vumë përpara një kritike të drejtë dhe të fortë nga KC i PKJ për marrëdhëniet tona ekonomike e politike, për të gjitha marrëdhëniet tona me Jugosllavinë. Ky hap shpëtimtar bëri që shokët e Byrosë ta marrin këtë çështje me seriozitetin më të madh dhe që në Byro të hapeshin barqet.[clv]
      Hoxha, në stilin klasik të të pandehurit të gjyqeve staliniane, pohoi se kishte qenë bashkëpunëtor i «armikut» Spiru:
       Në lidhje me këtë veprimtari të Nakos ka edhe përgjegjës të tjerë nga këta njerëz si Liria (Liri Belishova- K.M.), Mehmeti (Mehmet Shehu- K.M.)dhe Fadili (Fadil Paçrami-K.M.), të cilët arritën të vijnë në KC e në Byro. Ai këtu pati ndihmën time. Në punën e tyre shihet zhvillimi i po kësaj pune që shihet në punën e Nakos.[clvi]
      Pas këtij pohimi Hoxha kaloi në denoncimin e bashkëpunëtorëve të tij të deridjeshëm:
       Shokët folën për Fadilin, Lirinë e Mehmetin, këta janë me të vërtetë njerëz të rrezikshëm. Liria, Mehmeti dhe, pas tyre Fadili janë njerëz kapabël për çdo gjë. Partia t’ i ketë kujdes, se ata nuk do të rrinë të qetë. Masat e Partisë janë provizore, por Mehmeti nuk ndreqet.[clvii]
      A i shkonte Hoxhës ndërmend në ato momente se kjo frazeologji e tij nesër do të përdorej nga akuzuesit e tij, për t’ i kërkuar llogari se përse i kishte mbështetur Shehun dhe Belishovën, kur e kishte ditur se qenë njerëz të tillë? Apo në këto momente ankthi dhe depresioni trurin e tij e dominonte geni i marrëzisë gjirokastrite, që e bënte të sillej në mënyrë sadomazokiste? Në fjalimin e Hoxhës autokritika dhe denoncimi vinin bashkë me shprehjen e devotshmërisë për Jugosllavinë:
       Aleanca me Jugosllavinë ishte një nga fitoret më të mëdha, Nako Spiru nuk e pranonte këtë. Kjo pati konsekuenca shumë të mëdha për Partinë tonë.[clviii]
      Xoxe, pas shijoi fjalët e Hoxhës, tha një frazë që tingëllonte ogurzezë për Hoxhën:
       kjo është lufta e klasës në Byro[clix]
      Kjo do të thoshte se në Byronë Politike kishte armiq klasorë, të cilët duheshin spastruar. Nënteksti ishte se njëri prej tyre ishte dhe Hoxha. Më tutje Xoxe bëri një paralajmërim, që të jepte të kuptoje se po formulohej akuza politike për Hoxhën:
       Do të shikojë mirë Partia Mukjen, Liri Gegën, Sejfullain dhe Nako Spirun.[clx]
      Me këtë Xoxe aludonte se Hoxha kishte shpëtuar në të gjitha eventet e rënda që kishte pasur partia, duke fajësuar të tjerët, Ymer Dishnicën për Mukjen, Liri Gegën në plenumin e Beratit, Sejfulla Malëshovën në Plenumin V të shkurtit 1946, dhe tashmë Spirun. Por një rishikim i tyre do të nxirrte përgjegjësite e Hoxhës në të gjitha këto ngjarje. Pandi Kristo, bashkëpunëtori më i ngushtë i Xoxes, ishte i pakënaqur që spastrimi i Byrosë Politike po bëhej pak nga pak dhe u shpreh për një spastrim final të Byrosë Politike, duke kërkuar kështu edhe eliminimin e Hoxhës:
       Por kjo është patjetër një tronditje, pse në Plenumin e parë nxorrëm jashtë dy veta, kështu në të dytin dolën jashtë dy të tjerë dhe vazhdimisht gjersa sot na del në shesh një tjetër anëtar i Byrosë dhe duhet të kemi në konsideracion atë të Plenumit të pestë kur Shahin Ruka tha se kush na siguron se nuk do të dalë tjetër. Por ne frikë s’ duhet të kemi, përkundrazi, ne duhet të dalim qartë me bark hapët, në mënyrë komuniste dhe të bëjmë një analizë marksiste.[clxi]
      Këtu Pandi Kristo bën një bilanc të spastrimeve në Byronë Politike, që nga Plenumi I, në prill 1944, në Helmës, kur u përjashtuan nga Byroja Politike Ymer Dishnica dhe Gjin Marku, tek Plenumi II në Berat kur u përjashtuan Liri Gega dhe Ramadan Çitaku, tek Plenumi V, në 1946, kur u përjashtua Sejfulla Malëshova, dhe deri tek plenumi i tashëm, i teti, kur do të përjashtohej Spahiu. Pandi Kristo është i pakënaqur me përjashtimin vetëm të Spahiut dhe duket se kërkon që edhe Hoxha të përjashtohej që në këtë plenum. Por kjo nuk ishte në përcaktuar të ndodhte në këtë akt të dramës politike të shkruar nga jugosllavët, por në një akt tjetër, domethënë në një plenum tjetër. 
      Me përjashtimin e Spahiut, i cili shihej si njeriu i Hoxhës, dhe me pranimet e reja në Byronë Politike (të gjithë njerëz të Xoxes), dhe në Komitetin Qendror, tashmë të dy këto forume drejtuese të partisë kontrollohen krejtësisht nga Xoxe. Ironikisht të gjithë këtë operacion e drejtoi Hoxha. Pika e pestë e rendit të ditës në Plenumin VIII ishte:
      Propozime të Byrosë për zgjerimin dhe forcimin e Komitetit Central dhe të Byrosë së Partisë.[clxii]
      Hoxha tha në lidhje me këtë:
       Byroja mendon që, si anëtarë të Byrosë të ketë 8 veta dhe një kandidat. Përveç shokut Bedri, që Byroja propozon të shkarkohet nga përgjegjësia si anëtar i Byrosë dhe të mbetet si anëtar i Komitetit Central, ajo propozon të hynë këta shokë: Gogo Nushi, Shulja, Hysniu, të cilët efektivisht kanë qenë në Byro dhe që tani duhet të aprovohen nga Komiteti Central. Përveç kësaj Byroja propozon shokun Nesti Kerënxhi si anëtar të Byrosë dhe, si kandidat shokun Xhoxhi Blushi.[clxiii]
      Kështu në Plenumin VIII formalizohet pranimi i tre të kooptuarve në 1946, si anëtarë të Byrosë Politike, Kapo, Gogo Nushi, Kristo Themelko. Gjithashtu pranohet anëtar i Byrosë Politike edhe Nesti Kerenxhi, i cili qe njeriu i Xoxes,  i krishterë ortodoks nga qyteti i Korçës. Ndërsa të ashtuquajturit «tre shokët pranë Byrosë Politike» (Belishova, Shehu, Fadil Paçrami) nuk u pranuan në Byro. Byroja Politike e dalë nga Plenumi VIII, në mars 1948, përbëhej nga tetë anëtarë: Hoxha, Xoxe, Gogo Nushi, Kapo, Kristo Themelko, Nesti Kerenxhi, Jakova dhe Pandi Kristo. Në Plenumin VIII pari një ndryshim të ndjeshëm në raportet ndërfetare në udhëheqjen komuniste të kohës. Një kqyrje arkontologjike e kësaj është instruktive për të kuptuar se çfarë kishin ndërmend që të bënin jugosllavët me Shqipërinë. Nga tetë anëtarët, gjashtë qenë kristianë dhe dy muslimanë. Nga gjashtë kristianët, pesë qenë ortodoksë, ndërsa i gjashti, i cili ishte katolik, Jakova, e kishte gruan të krishterë ortodokse nga Korça. Edhe një nga anëtarët muslimanë të Byrosë Politike, Kapo, e kishte gruan të krishterë ortodokse. Në Byronë Politike, nga ata që nuk qenë të krishterë ortodoksë, vetëm Hoxha nuk e kishte gruan të krishterë ortodokse. Plani jugosllav që PKSH të vihej nën kontrollin e të krishterëve ortodoksë tashmë qe realizuar sa i përkiste forumit më të lartë drejtues të partisë dhe mbetej vetëm që të emërohej një i krishterë ortodoks si sekretar i përgjithshëm. E njëjta prirje do të vihej re dhe në Komitetin Qendror. Hoxha në përfundim të fazës së parë të Plenumit VIII, paraqiti propozimet e Byrosë Politike:
       Propozohen të hyjnë në Komitetin Central shoku Manush, shoku Rrahman, shoku Beqir, të cilët ishin kandidatë të KC. Përveç këtyre Byroja propozon të jenë anëtarë të KC edhe shoku Bajram Sinojmeri dhe Petro Papi... Kështu për KC kemi pasur edhe shokun Kiço, për të cilin Byroja mendon të jetë përsëri kandidat... Përveç shokut Kiço Byroja propozon si kandidatë të Komitetit Central edhe shokun Sotir Kamberi, të cilin Byroja e propozon dhe si Sekretar Politik të Komitetit Central të Rinisë, shokun Tahir Kadareja, shokun Teki Kolaneci, shokun Pëllumb Dishnica, shokun Adil Çarçani, shokun Haki Toska, Koço Titka, Vaskë Koleci.[clxiv]
      Komiteti Qendror thjesht miratonte urdhrat e Byrosë Politike, kur duhej që propozimet të dilnin së paku nga diskutimet në Komitetin Qendror. Të pestë ata që u pranuan anëtarë të Komitetit Qendror qenë njerëz të bindur të jugosllavëve, çka do të thotë se do të mbështesnin Xoxen kundër Hoxhës. Manush Myftiu kishte qenë bashkëhartues i fjalimit që mbajti Xoxe në dhjetor në Shkollën e Partisë. Petro Papi ishte njeriu i Xoxes nga Korça. Beqir Balluku kishte insistuar që t’ i kërkohej Moskës që të lejohej të vinte divizioni jugosllav në Shqipëri, Rrahman Parllaku kishte qenë në Kosovë si komandant i Divizionit V të ushtrisë partizane shqiptare që shkoi atje, dhe kishte dhënë prova në shërbim të jugosllavëve, prandaj në prag të Plenumit VIII u bë drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë. Bajram Sinojmeri ishte gjirokastrit, por me kritikën që i bëri Hoxhës, e fitoi anëtarësinë në Komitetin Qendror. Për rregullat e anëtarësimit as që pyetej, aq sa u krijuan situata komike. Kështu u shkëmbyen të tilla fjalë mes Hoxhës dhe të pranishmëve:
       Enver Hoxha: Përsa i përket Petros dhe Bajramit, që nuk janë as kandidatë, mund të hyjnë në Komitetin Central, mbasi nuk është konditë që të kalojnë në stazhin e kandidatit.
Naxhije Dume: Nga ana formale shoku Petro ka qenë, mbasi është zgjedhur në Konferencën e Vendit
Pëllumbi (Dishnica): Edhe unë jam zgjedhur kandidat në atë Konferencë.[clxv]
      Petro Papi qe zgjedhur kandidat që në Konferencën I të PKSH në 1943, dhe derisa nuk ishte përjashtuar, mbetej i tillë, pra nuk kishte kuptim që të pranohej për të dytën herë. Kur u vu në dukje ky fakt, Pëllumb Dishnica tha se e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me të. Një situatë të tillë mund ta krijonte vetëm një komedian si Hoxha. Tashmë Komiteti Qendror do të përbëhej nga 16 anëtarë dhe 9 kandidatë[clxvi]dhe ishte krejt nën kontrollin e Xoxes. Ky i fundit ishte i sigurt se me këtë Komitet Qendror mund ta shkarkonte në çdo moment Hoxhën, mjaft që t’ i jepnin leje jugosllavët që ta bënin këtë gjë. Në Komitetin Qendror të dalë nga Plenumi VIII, sa u përket anëtarëve, u rrit numri i të krishterëve ortodoksë në shtatë, pra në rreth gjysmën e anëtarëve. Edhe tre nga anëtarët e tjerë të Komitetit Qendror qenë të martuar me të krishterë ortodoksë. Jakova dhe Kapo qenë të martuar me gra ortodokse, ndërsa Naxhije Dume e kishte burrin ortodoks. Kjo e fundit ishte gruaja e një anëtari ortodoks të Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror, Nesti Kerenxhi. Nga nëntë kandidatët e Komitetit Qendror katër qenë ortodoksë (Kiço Ngjela, Vaskë Koleci, Koço Titka, Sotir Kamberi), dhe tre nga këta qenë njerëzit e Xoxes nga Korça. Kuptohet, se sipas frymës që ekzistonte për pranimet në forumet drejtuese të partisë, nga kandidatët, përparësi për t’ u bërë anëtarë do të kishin ortodoksët.
      Kjo frymë u bë edhe më tepër evidente kur plenumi bëri riorganizimin e Komitetit Qendror të Rinisë komuniste, për të cilën Xoxe ishte veçanërisht i ndjeshëm, pasi ajo kishte qenë garda personale burokratike dhe paraushtarake e Spirut dhe me këtë edhe e Hoxhës. Xoxe do të thoshte në plenum për Rininë komuniste:
       Shoku Sotir është ngarkuar dhe president i Rinisë... Byroja ka riorganizuar KQ që përbëhet nga: Sotir Kamberi, Koço Titka, Klimi Misa, Petro Gëdeshi, Jorgji Premti, Marika Isak (mundet të hiqet), Kiço Janku, Stefi Kotmilo, Niko Nishku, Dhori Panariti.[clxvii]
      Tashmë, të dhjetë anëtarët e Komitetit të ri Qendror të Rinisë komuniste, siç shihet, janë të krishterë ortodoksë, pjesa më e madhe nga Korça, domeni i Xoxes. Kjo bie më tepër në sy kur shihet se kush është përjashtuar nga të dhënat që jep Xoxe në plenum:
       Është hequr Liria, Ramizi, Tefiku, Qamili, Kristo Papajani, Vera Pojani (transferohet).[clxviii]
      Nga gjashtë të përjashtuarit, pesë qenë muslimanë, ndër ta dhe Ramiz Alia, si dhe ish-gruaja e Spirut, Belishova. Jugosllavët sigurisht që nuk mund të mendonin se do ta sundonin Shqipërinë me anë të minorancës së krishterë ortodokse që nuk përbënte më tepër se 20% të popullsisë së saj. Atëherë kjo që po ndodhte kishte vetëm një shpjegim, se jugosllavët, pasi ta aneksonin Shqipërinë, donin ta shpërbënin atë midis republikave të tyre që kufizoheshin me të, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, në mënyrën që kam thënë më lart në këtë libër. Kjo duket se ishte arsyeja që kur u krijua republika e Malit të Zi, kryeqyteti i saj u zhvendua nga Cetina, që ishte kryeqyteti historik i Malit të Zi, në Podgoricë, e cila gjendej në skaj të Malit të Zi, pranë kufirit me Shqipërinë. Kjo mund të ngjante si anomali, përveç rastit nëse kufijtë e Malit të Zi do të zgjeroheshin duke aneksuar një pjesë të Shqipërisë së Veriut. Atëherë Podgorica do të ndodhej pikërisht në qendër të Malit të Zi të zgjeruar.
      Në Plenumin VIII shpërtheu spiunimi duke arritur deri në episode banale. Teki Kolaneci, krushku i ardhshëm i Hoxhës (babai i burrit të vajzës së Hoxhës), në Plenumin VIII, në 1948, tregon për kohën kur ishte për studime në Moskë me Shehun:
       Një ditë Gjini na tha se Mehmeti këndonte një letër shumë fshehur. Gjini përpiqej ta këndonte. Edhe ne gjithashtu. Një ditë ai harroi sirtarin hapur dhe ne e gjetëm letrën. Unë dola jashtë të ruaja se mos vinte. Gjini me Nexhipin duhej ta këndonin dhe të na thoshin edhe neve. Në atë kohë vjen ai dhe menjëherë mbyllet sirtari. Ata e kënduan, por mua vetëm më thanë se nuk mundën. Por këtë letër e kënduan të gjithë, kurse unë pak e pashë, që shkruante: «Ai që di ti iku». Letra qe nga Nakoja. Këtë e mora vesh, por më tepër nuk më thanë.[clxix]
      Teki Kolaneci, i cili më pas do të bëhej zëvendësministër i Punëve të Brendshme, nuk ka turp këtu të tregojë se ai dhe dy shokët e tij, të dy gjeneralë, janë sjellë sjellë në një mënyrë që duhet të turpëronte dhe një adoleshent. Hoxha disa muaj më pas, do të thoshte në Kongresin I të PKSH:
       Në këto rrethana u mbloth pleniumi i VIII-të, ku mbretëronte intriga, gënjeshtra, megallomania, fryma otomane e Koço Xoxes dhe Pandi Kristos dhe në këtë plenium u mposht Komiteti Qëndror, Sekretari i Përgjithshëm, u shkel vija e drejtë e Partisë, u ngjall fryma antisovjetike.[clxx]
      Njeriu që tregoi cilësi nga më të këqijat otomane në plenum ishte vetë Hoxha, dhe pas tij mund të sillet si shembull krushku i tij. Sa për Xoxen dhe Pandi Kriston ata treguan një frymë të qartë bizantine, si të krishterë ortodoksë që ishin. Pikërisht për frymën otomane ngrinin akuzë Xoxe e Pandi Kristo, duke aluduar për udhëheqësit muslimanë. Hoxha nuk guxon që t’ i akuzojë për frymë bizantine, se e dinte se kjo nuk i pëlqente Moskës, që i përkiste arealit bizantin.
      Plenumi VIII nuk doli me një rezolucion në përfundim të tij, siç bëhej rëndom, por kjo gjë u la të bëhet në një mbledhje tjetër në fund të muajit mars. Kjo gjë sigurisht që u bë se Xoxe priste leje nga jugosllavët për të dënuar Hoxhën. Kështu, pjesa e parë e dramës u mbyll në një moment suspensi të madh. Në intervalin mes dy akteve të dramës së pushtetit Stalini befas bëri një gjest që mund të shihej si mbështetje për Hoxhën. Në 10 mars 1948 Hoxha u dekorua nga Sovjeti Suprem i Bashkimit Sovjetik me Urdhrin Suvorov të Klasit I, i cili iu dorëzua në Legatën Sovjetike në Tiranë. Saktësisht një muaj më parë Stalini u kishte shprehur jugosllavëve miratimin e tij që Hoxha të eliminohej. Një muaj më pas, me sa duket për shkak se jugosllavët nuk e ndoqën këshillën e Stalinit që të përshpejtonin lidhjen federale me Bullgarinë, ky i fundit bëri një gjest me të cilin dukej se donte të thoshte se edhe koncesioni tjetër që ai kishte bërë në Shqipëri, eliminimi i Hoxhës pezullohej. Sigurisht që Hoxha, edhe pse u gëzua nga gjesti i sovjetikëve, nuk mund ta interpretonte kështu atë. Dekorimi nuk e uli ankthin e Hoxhës se ai kishte parë se sovjetikët nuk lëvizën as gishtin për të mbrojtur Spirun. Gjithsesi, dekorimi ishte një inkurajim që i bëhej Hoxhës nga Moska për të luajtur më tepër me kartën sovjetike dhe «Hermani» nuk mund të mos e kuptonte këtë gjë.
      Frenimi i befasishëm i jugosllavëve për shkak të presionit sovjetik, krijoi situata me të vërtetë komike në Byronë Politike në Tiranë, ku kolaboracionistët projugosllavë të çorientuar nuk dijnë si të veprojnë, se jugosllavët të cilët më parë i qortonin kur vonohej agjenda e aneksimit, tash kanë filluar t’ i qortojnë kur përshpejtohet. Një kombinim rrethanash u bë shkak që në Byronë Politike në Tiranë të luhet një sitcom (komedi situatash) e vërtetë. Dy ngjarje u bënë shkak që të ndodhte kjo histori kaq sinjifikuese për zbulimin e së vërtetës së Hoxhës. Të parën Hoxha e përshkruan kështu në letrën e tij për Titon, të 17 marsit 1948:
       Disa ditë përpara, duke pasur parasysh të gjitha këto punime në lidhje me mbrojtjen e vendit dhe me forcimin e ushtrisë sonë, si dhe vështirësitë e mëdha që do të hasen në kryerjen e tyre, nga shoku gjeneral Kupreshanini dhe më vonë nga shoku Savo na është sugjeruar, në mënyrë jozyrtare se këto vështirësi do të sheshohen më shpejt në rast se bëhet një hap tjetër përpara në lidhje me formën e shteteve tona, domethënë në rast se shkohet sa më shpejt në bashkimin e të dy popujve tanë. Në këtë drejtim na është sugjeruar prej tyre, që ne të marrim iniciativën dhe ta kërkojmë këtë gjë duke e arsyetuar nga situata e brendshme, pa marrë parasysh faktorin e jashtëm dhe pavarësisht nga Bullgaria.[clxxi]
      Ngjarja e dytë ishte një informacion që erdhi në këtë kohë prej ministrit shqiptar në Sofje me të cilin ai e ve në dijeni për një kumtim të udhëheqësit bullgar Dimitrov. Hoxha, në letrën e 17 marsit për Titon e rrëfen kështu këtë gjë:
       Bash në këto momente ne morëm nga ministri ynë në Bullgari një lajm, ku na thotë se në një bashkëfjalim që ka pasur me shokun Dimitrov, ky i fundit i ka thënë në mënyrë konfidenciale se «çështja e federatës së tri vendeve është një çështje e shpejtë dhe se shoku Stalin është i këtij mendimi dhe se këtë gjë KC i PK Bullgare do ta shqyrtojë me KC të Partisë Jugosllave dhe pastaj do t’ ia parashtrojnë dhe KC të Partisë Shqiptare dhe nga muaji i qershorit mund të mblidhen parlamentet e të tre vendeve për të marrë vendime në këtë drejtim. Fundi i vitit 1948 do të na gjejë të bashkuar që të tre shtetet në një federatë». Këto ishin me pak fjalë pikëpamjet e shokut Dimitrov, të cilat ia shfaqi ministrit tonë në Sofje.[clxxii]
      Dimitrovi këtu qartësosht ka folur pas pyetjes që i ka bërë diplomati shqiptar në Bullgari, me porosi të Hoxhës dhe të Xoxes. Që pyetja është bërë me porosi të këtyre të dyve kuptohet nga fakti që as Xoxe dhe asnjë nga njerëzit e tij, nuk kanë objeksione për këtë bisedë. Dimitrovi e kuptoi se shqiptarët kishin dyshime, çka vinte se ata nuk qenë në dijeni të bisedimeve të 10 shkurtit të atij viti në Moskë. Dimitrovi nuk mund t’ u zbulonte shqiptarëve hollësi të këtyre bisedimeve, ku ata nuk qenë të pranishëm dhe ku rendi i gjërave qe përmbysur, duke u vendosur që Shqipëria të bashkohej në një fazë të dytë me Jugosllavinë. Biseda e ministrit shqiptar në Sofje me Dimitrovin, në vend që t’ u sqaronte çështjen, e shtoi më tepër konfuzionin në mendjen e Hoxhës dhe Xoxes. Nga njëra anë bullgarët e quanin çështjen e bashkimit federal mes tre vendeve si gjë të kryer, duke vënë dhe një afat të afërt, ndërsa nga ana tjetër jugosllavët u thoshin shqiptarëve, për më tepër jozyrtarisht, që këta të kërkonin në Beograd bashkimin vetëm me Jugosllavinë! Në mbledhjen e Byrosë Politike në 14 mars 1948 u diskutua për këtë enigmë. E gjithë mbledhja ngjan e çuditshme për faktin se diskutimet në të bazohen në një premisë të gabuar, ose e thënë ndryshe në një realitet që ka ndryshuar. Bisedimi që bëhet në Byronë Politike, në 14 mars, mbi bazën e këtyre të dhënave të gabuara, është sa komik në kulm, aq edhe instruktiv për personalitetin e udhëheqësve shqiptarë, posaçërisht të Hoxhës:
       Komandanti (E. Hoxha): Tani vjen çështja e bashkimit, d.m.th. e bashkimit (shtetëror- K.M.).
Shulja (Kristo Themelko): Kjo është e lidhur me çështjen tjetër, të bashkimit të ushtrisë.
Komandanti (E. Hoxha): Kjo është e vërtetë. Shokët (jugosllavët- K.M.), kur propozuan, thanë se çështjen e ushtrisë t’ ia shtrojmë veças Mareshalit. Çështjen (të bashkimit mes dy shteteve- K.M.) t’ ua shtrojmë në formë pyetjeje edhe Sovjetëve.
Shule (Kristo Themelko): Letra e Dimitrovit nuk është më një gjë e re. Sugjerimet e tij na nxitën që ta shtrojmë çështjen e bashkimit. Bullgarët do ta shtrojnë këtë çështje në KC (Komitetin Central të partisë së tyre-K.M.). Meqë ne jemi më afër (Jugosllavisë- K.M.), duhet ta shtrojmë më parë. Nxitja e bullgarëve na bën që ne atë ta shtrojmë. Unë mendoj se ka rëndësi (kështu t’ i themi Savos), që ta shtrojmë pavarësisht nga letra e bullgarëve.[clxxiii]
      Politbyroistët në Tiranë vërtet nuk qenë në dijeni për bisedimet e 10 shkurtit në Moskë, por ata e kishin kuptuar, së paku nga afera e ardhjes së divizionit jugosllav në Shqipëri, se kishte ndodhur një çarje në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave. Kështu që tek hezitimi jugosllav ata nuhasnin problemet mes Beogradit e Moskës. Fakti që Tito i kërkoi udhëheqjes shqiptare, për më tepër jozyrtarisht, që t’ i propozonte zyrtarisht Beogradit bashkimin me Jugosllavinë i bëri politbyroistët në Tiranë që të dyshonin se Tito nesër mund t’ i sakrifikonte për t’ i dhënë një fajtor Moskës. Këtë dyshim tashmë nuk e kishte vetëm Hoxha por edhe Xoxe. Pikërisht për këtë arsye këta të dy, të cilët vendimet për çështjen e divizionit jugosllav i kishin marrë të gjitha së bashku, duke e informuar Byronë Politike vetëm post factum, kur e gjithë historia qe mbyllur, këtë herë e shtrojnë çështjen për diskutim në Byronë Politike. Qartësisht Hoxha dhe Xoxe, duke parashikuar se çështja do të kishte pasoja të paparashikuara, donin që për vendimin të kishte përgjegjësi kolektive të Byrosë Politike. Duke parashikuar pasojat Hoxha gjithashtu shtron pyetjen nëse duhet pyetur në Moskë për çështjen e lidhjes federale me Jugosllavinë dhe kjo e bën puzzle-n politike definitivisht të ndërlikuar. Hoxha e kishte hallin se, derisa ardhja e divizionit jugosllav në Shqipëri ishte ndaluar qartësisht me ndërhyrjen e Moskës, sovjetikët nuk mund të mos pyeteshin për një gjë kaq të rëndësishme sa bashkimi i Shqipërisë me Jugosllavinë.
      Hoxha kishte më tepër hallin e vet, se mos nesër, në rast se çështja shkaktonte një krizë mes Moskës dhe Beogradit, jugosllavët e bënin fli, duke e akuzuar se ishte ai që e kishte kërkuar këtë gjë. Mënyra se si e shtron çështjen Hoxha fillon të shqetësojë gjithherë e më shumë dhe Xoxen, se ishte e qartë që për vendimin që do të merrej në mbledhje, do të qenë njëlloj përgjegjës Hoxha dhe Xoxe. Dhe ky i fundit e dinte se nëse vendimi që do të merrej në atë mbledhje do të shkaktonte një krizë të re sovjeto-jugosllave, atëherë do të binte dhe koka e tij bashkë me atë të Hoxhës. Vazhdimi i bisedës në Byronë Politike tregon se Hoxha dhe politbyroistët e vet, ose nuk qenë fare të vetëdijshëm për komicitetin e sjelljes së tyre, ose aq u bënte për këtë gjë:
       Koçi Xoxe: Unë e shoh këtë si çështje serioze.
Komandanti (E.Hoxha.): Pse s’ erdhi Savoja të na thoshte si mendon ai për këto çështje, pasi ne jemi për bashkimin që ta bëjmë sa më parë.
Pandi Kristo: (Këtu s’ ka gjë nga fjala e tij në procesverbal).
Komandanti (E.Hoxha): Savoja e Kupreshanini na nxitin t’ i bëjmë për këtë telegram Titos.
Koçi Xoxe: Ne jemi KC dhe Byroja dhe duhet ta shtrojmë këtë çështje. Por kujt i ra ndërmend nga ne për këtë? Asnjërit. Ne duhet të marrim në bisedim këtë se kjo nuk vjen nga njerëz të thjeshtë. Prandaj të kërkojmë të shtrojmë këtë pasi të pyesim (sovjetikët- K.M.).
Shule (Kristo Themelko): Ne ta shtrojmë më parë çështjen në bazë të të dhënave që kemi për gjendjen e brendshme, pastaj të propozojmë.
Koçi Xoxe: Dua ta rrëzoj atë që tha Shulja se ata duan të na provojnë. Kjo nuk është e drejtë.
Komandanit (E. Hoxha):Ata na e kanë thënë hapur dhe na kanë diktuar vijën dhe tashti këtë nuk e bëjnë për provë. BS është njësoj si për ne, ashtu edhe për Jugosllavinë. Ne nuk mund ta shtrojmë këtë pa pyetur Jugosllavinë e BS. Ata na nxitin ta bëjmë ne propozimin. Ne nuk bëjmë gabim ta marrim çështjen në bisedim në këtë mënyrë.
Pandi Kristo: Unë mendoj që ne t’ u themi se kjo është gjendja jonë. Prandaj duhet të pyesim si të bëjmë për këtë.[clxxiv]
      Hoxha shkëlqen mbi të gjithë si komedian. Të gjithë janë dakord që të bëhet bashkimi i dy shteteve dhe ushtrive, por ndahen vetëm për atë se si duhet të veprojnë që të mos shkaktojnë zemërimin e jugosllavëve, të cilët tashmë i qortojnë edhe kur janë të zellshëm si kolaboracionistë. Tashmë edhe Xoxe dhe njerëzit e tij më të afërt, Pandi Kristo dhe Kristo Themelko, janë bërë hezitues. Politbyroistët ngjajnë me ata shërbëtorët që diskutojnë gjithë shqetësim për shkak se padroni është bërë befas i pakuptueshëm në dëshirat e veta. Politbyroistët nuk ndiheshin në elementin e tyre në këtë situatë. Ata do të donin që t’ i urdhëronin qartë për atë që duhet të bënin. Hoxha është ai që artikulon dyshimet dhe konfuzionin e të pranishmëve për këtë çështje, në një gjuhë racionale, çka e bën atë edhe më komikun mes tyre:
       Komandanti (E. Hoxha): Ka disa kontradiksione të çuditshme në mendimet e këtyre jugosllavëve. Këta na thanë që t’ i bënim telegram BS dhe ne i bëmë. Tashti na thonë që çështjen ta vendosim vetë. Këto janë kontradikta. Ata kanë shkuar në Moskë, sigurisht, kanë biseduar për këtë. Nëse duhet të marrin ne iniciativën,  për këtë të na thotë KC i Jugosllavisë dhe ne ta shtrojmë e ta shpiem çështjen deri në fund.
Shulja (K.Th.): Ta shtrojmë që ta shohim ne që të bëhet bashkimi.
Komandanti (E.Hoxha): Kjo nuk shtrohet nëse ne jemi për bashkimin. Ne kemi qenë gjithmonë për të. Çështja është ngritur. Ne punojmë në fakt në baza federale dhe çështja e federatës është një gjë formale, që në rastin oportun ne do ta shpallim. Kjo nuk varet nga ne.[clxxv]
      Këtu, Hoxha, në terma më eksplicite, shpreh mendimin e vet dhe të gjithë të pranishmëve se ata janë gati që ta shesin Shqipërinë tek Jugosllavia por këtë duhet t’ ua kërkojë Beogradi zyrtarisht, që nesër pastaj të mos ndodhë që jugosllavët t’ i qortojnë se u shpejtuan, kur të reagojnë sovjetikët. Në vazhdim të bisedës, krijohet një situatë pa precedent në Byronë Politike, kur Hoxha dhe Xoxe arrijnë përsëri në të njëjtin mendim, përkundrejt të tjerëve që hezitojnë ose kanë mendim tjetër:
       Koçi Xoxe: Pse s’ ia bëjmë drejt propozimin Partisë Bolshevike dhe Jugosllavisë?
Komandanti (E.Hoxha): Në qoftë se situata e do që ne ta bëjmë shpejt, ne do ta bëjmë. Çështja e brendshme është më pak e rëndësishme, pse është më e favorshme.
Pandi Kristo: Në se do të pyesim, nuk humbasim gjë dhe plani nuk dëmtohet.
Komandanti (E.Hoxha): Pyetja do t’ u bëhet të dyve, Jugosllavisë dhe BS. Çështjet ekonomike e të ushtrisë janë midis nesh, kurse kjo është më e rëndësishme. Shtruarja e këtij problemi nuk është normal pa pyetur. Në qoftë se nuk i themi për këtë BS, atëherë përse tjetër do t’ i themi? Të ruhemi nga gabimet që kemi bërë.
Hysni Kapo: Për çështjen e Shtabit ne nuk i themi BS, pse vijën e kemi caktuar. I themi për këtë, se po veprojmë kështu vetëm për dijeni. Nëse nuk vjen përgjigje negative, ne nuk e ndryshojmë vendimin, por do të merremi vesh me Jugosllavinë. U formua Komisioni i Kordinimit. Kjo është në vijën tonë. Për këtë ne s’ i pyetëm, as u thamë sovjetikëve.
Koçi Xoxe: Unë them që ta pyesim KC të Jugosllavisë që të na thotë si të veprojmë. Kur të na vijë përgjigje pozitive ne e marrim në bisedim. Atëherë ne pyesim BS, si kryetar i Kampit.
Komandanti (E.Hoxha): Ç’ rrezik ka që të pyesim BS?
Shulja (K.Th.): Do të thonë që s’ i kemi punët mirë me Jugosllavinë.[clxxvi]
      Për herë të parë, Hoxha dhe Xoxe gjenden të dy së bashku, të izoluar, përballë pjesës tjetër të Byrosë Politike që heziton të marrë një vendim, se nuk do që të marrë përgjegjësi për atë që do të ndodhë. Byroja Politike nuk është mësuar që të marrë vendime, se për të vendimet i ka marrë gjithherë një klikë brenda saj, dhe ajo ka aprovuar ato. Në rastin e aferës me divizionet jugosllave ishte dyshja Hoxha-Xoxe ajo që i mori të gjitha vendimet, ndërsa Byroja Politike u vu në dijeni post factum. Tashmë Byroja Politike qartësisht nuk e pëlqen dhuratën e dyshimtë të vendimmarrjes që i bëjnë në këtë situatë Hoxha dhe Xoxe, të cilët duan që të shpërndajnë përgjegjësinë. Në përfundim të mbledhjes, Xoxe, dyshues, i kthen gjërat në pikën e nisjes:     
       Koçi Xoxe: Të marrim këtë iniciativë, kjo është një gjë e madhe, por mund të jetë e dëmshme.
Komandanti (E.H.): Ne mund t’ ia themi Savos, duke kërkuar mendimin e tij për pyetjen që do t’ i bëjmë BS. Për Shtabin do t’ i themi Savos si i kemi thënë Kupreshaninit. Ne jemi në princip unikë për këtë. Shulja do të kërkojë hollësi atje në Beograd. Pyetjen t’ ua bëjmë këtu jugosllavëve. Vija jonë dhe puna jonë ka baza federale dhe këto na shpien në bashkim. Do kërkojmë informata nga Dimitrovi dhe sugjerime nga shoku Savo dhe shoku gjeneral (Kupreshanin- K.M.) për të mësuar si është puna dhe cilat janë këshillat e tyre. Është një moment i ri. Kemi nevojë të dimë se cila është detyra jonë. Të kërkohet mendimi i Savos për t’ i njoftuar sovjetikët për pyetjen që t’ iu bëjmë.[clxxvii]
      Kolaboracionistët pajtohen për atë që ata të veprojnë vetëm sipas urdhrave të padronit. Të nesërmen, Hoxha takohet me të dërguarin jugosllav, Savo Zllatiç, për çka informon në mbledhjen e Byrosë Politike që mbahet atë mbrëmje:
       Dje thamë ta thërrasim Savon për këto gjëra, për të mësuar si mendojnë shokët jugosllavë. Kur e mori Koçi në telefon, edhe ai kishte ndërmend të telefononte. E lamë pjekjen te Komandanti. Filluam ne. Edhe ai filloi për këtë çështje: «Unë nuk di gjë konkrete për këtë,- tha- që t’ ju them gjëkafshë. Unë nuk kam ndonjë direktivë». Një radiogram që kishte marrë na e tha: «Mendimi im,- vazhdoi Savoja,- (mund të gaboj)» është që të ngremë çështjen e Kosovës. Ka ardhur koha që populli shqiptar të grumbullohet. Ai nuk e përcaktonte qartë këtë. Nga biseda kështu del. «Është mirë që ju ta shtroni këtë gjë si dhe punën e ushtrisë. Është mirë që kjo gjë të vijë nga ju. Mund t’ ju lajmëroj se jemi në këto ujëra».[clxxviii]
      Përtej faktit që Hoxha flet për veten në vetën e tretë, nga këto që thotë kuptohet se jugosllavët vetë qenë mëse hezitues në situatën e re. Fakti që ata kërkojnë, madje përsëri jozyrtarisht, që propozimi të vijë nga Tirana, i bën edhe më dyshues dhe hezitues politbyroistët shqiptarë. Aq më tepër që Zllatiçi i ndërlikoi gjërat kur tha se ai fliste nga mendja e vet, një truk diplomatik ky, por që i jepte mundësinë udhëheqjes jugosllave që në çdo moment të distancohej nga ato që kishte thënë i dërguari i saj. Është kurioze se në 15 mars, për herë të parë, jugosllavët ofrojnë një shpërblim për aneksimin e Shqipërisë, Kosovën, duke u nënkuptuar se ajo do të bashkohej me Shqipërinë, në kuadrin e federatës. Më tepër se një koncesion për udhëheqjen shqiptare, e cila qartësisht nuk kishte nevojë për dhurata, për të pranuar bashkimin me Jugosllavinë, kjo gjë ishte një mënyrë që jugosllavët t’ i thoshin botës se edhe Shqipëria po përfitonte nga bashkimi me Jugosllavinë. Por jugosllavët nuk dukej se kishin vërtet ndërmend që të lejonin bashkimin e Shqipërisë me Kosovën në kuadrin e federatës. Një provë për këtë ishte fakti se nën influencën e jugosllavëve udhëheqja shqiptare po bëhej gjithherë e më tepër e dominuar nga të krishterët ortodoksë. Nëse Shqipërisë do t’ i bashkoheshin dhe Kosova e trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi të cilat qenë me shumicë muslimane, atëherë të krishterët ortodoksë në vend do të zbrisnin në 10%, çka e bënte edhe më të ndjeshme anomalinë e drejtimit të vendit nga një udhëheqje me shumësi prej tyre.
      Në mbledhjen e 15 marsit Hoxha nuk bën konkluzione. Ato i bën Xoxe, por duke duke përsëritur praktikisht ato që kishte thënë Hoxha në fillim të diskutimit së çështjes, kur hapi mbledhjen e ditës së kaluar:
       Vija jonë që të shkojmë në federatë është e drejtë, por kjo nuk varet nga ne. Që të jemi Republika VII ose konfederatë, për këtë them që të pyesim zyrtarisht KQ të Partisë Jugosllave, si nga ana e Kampit. Pastaj si do ta ngremë çështjen, si pyetje apo sugjerim? Edhe se mos nxitohemi. Do ta shohim.[clxxix]
      Pra gjithçka përfundoi ashtu si mbledhja e shërbëtorëve, të cilëve padroni befas nuk u jep urdhra të qartë, dhe vendosin të rrinë të gatshëm për t’ i zbatuar ato, porsa të vijnë. Pikërisht për këtë qëllim Hoxha i shkruajti një letër Titos në 17 mars 1948. Në këtë letër Hoxha i bën me dije Titos se pret urdhrat e tij për bashkimin e dy vendeve:
       Ne duhet të punojmë konkretisht për federatën dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat, por çështja që ne duhet të marrim iniciativën e parë për të kërkuar këtë gjë, sikundër që na është sugjeruar nga shokët jugosllavë të përmendur më lart, kjo na duket një iniciativë që pa u këshilluar më parë me ju dhe me Komitetin Central të Jugosllavisë, ne nuk duhet ta marrim.[clxxx]
      Hoxha vazhdon duke iu drejtuar Titos me komplimente prej vasali:
      Komiteti Central i ynë kurdoherë është ndihmuar nga këshillimet e urta të Komitetit Central të Partisë suaj dhe neve na duket se në këtë çështje të rëndësishme që na shtrohet përpara, në format që përmendëm më lart, ne kemi nevojë të na thuhet nga ju në se ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim cështjen e bashkimit dhe të mbërrijmë në konkluzione dhe, nga ana tjetër, do të dëshironim që të na jepeshin disa sqarime më plotësuese që ju i shihni të arsyeshme në lidhje me faktorë të tjerë rreth këtij problemi.[clxxxi]
      Edhe pse nga mënyra se si ishte shkruar letra dukej se pritej përgjigje urgjente, Tito nuk denjoi që t’ i përgjigjet Hoxhës. Tito, qartësisht priste që të sqaroheshin marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, për çka në atë kohë mes dy vendeve po bëhej një shkëmbim letrash. Deri atëherë, Tito nuk mund t’ i përgjigjej Hoxhës. Pavarësisht se si shkuan ngjarjet më pas, letra 17 marsit 1948, është dokumenti me të cilin Hoxha shiti përfundimisht Shqipërinë, për sa ishte në dorën e tij. Në letër Hoxha i shkruan Titos për çështjen e bashkimit të ushtrive:
       Mendimi ynë mbi këtë çështje është ky: në parim duhet të krijohet një komandë unike, pse nuk mundet që në një front ku ndodhen dy ushtri, si tonat, të veprojnë kundër të njëjtit armik nën dy komanda të veçanta. Për karakterin e kësaj komande unike, format, mënyrat e veprimit dhe momentin e shpalljes së saj, ne nuk do të jemi në gjendje t’ i përcaktojmë si duhet. Por bashkëpunimi i Shtatmadhorisë suaj dhe delegatit tonë si dhe sugjerimi juaj do të na ndihmojnë ne për marrjen e një vendimi të përbashkët definitiv mbi këtë problem.[clxxxii]
      Cili pushtues në botë do të donte një kolaboracionist më të devotshëm në vendin e pushtuar? Në fund të muajit do të dilte rezolucioni i Plenumit VIII ku thuhej:
       Partia jonë shikon se lidhjet më të ngushta dhe bashkëpunimi i plotë me Jugosllavinë e Mareshalit Tito janë rruga më e shpejtë, më e sigurt dhe më e natyrshme që krijon mundësitë për ndërtimin e socializmit në vendin tonë. Partia shikon se bashkimi ekonomik në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe gjithë format e bashkëpunimit në mes tyre, që rrjedhin nga ky bashkim, përbëjnë hallkën kryesore që sot në praktikë na sigurojnë këtë rrugë. Armiqtë janë përpjekur dhe do të përpiqen ta godasin këtë vijë. Detyra e Partisë është të godasë ashpër këta armiq dhe të shtojë e të forcojë bashkëpunimin sa më të ngushtë dhe vëllazërimin sa më të shëndoshë me popujt e Jugosllavisë federative.[clxxxiii]
      Hoxha më pas do ta quante këtë plenum dhe rezolucionin e tij, si njolla të zeza në historinë e partisë, dhe do të pretendonte se kjo iu imponua partisë nga Xoxe e jugosllavët, por e vërteta është se idetë që paraqiten në rezolucion janë paraqitur paraprakisht në letrën e Hoxhës për Titon dhjetë ditë më parë.


[i]Citohet sipas tekstit të botuar për herë të parë në gazetën «Borba», 12-13 gusht 1989
[ii]Milovan Gjilas: «Fytyra e totalitarizmit», Shtëpia botuese «Fan Noli», Tiranë 2006, f. 86-87
[iii] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 98
[iv]  po atje: f. 94
[v] po atje: f. 371
[vi] po atje: f. 95
[vii] po atje: f. 95-96
[viii] po atje: f. 78
[ix] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 304
[x] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 106
[xi] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 304
[xii] «Marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 106
[xiii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 305
[xiv] «Marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 106-107
[xv] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 306
[xvi] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 109
[xvii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 466-467
[xviii] po atje: f. 469
[xix] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 313
[xx] po atje: f. 306
[xxi] po atje: f. 306
[xxii] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 168
[xxiii]M. M. Naransky: «The Soviet Union and The Marshall Plan», tek «New evidence on the Soviet Rejection of the Marshall Plan, 1947: Two Reports», Wdrow Wilson International Center for Scholars, Washington D.C., March 1994, f. 150
[xxiv]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1947, Dosja 18
[xxv] M. M. Naransky: «The Soviet Union and The Marshall Plan», tek «New evidence on the Soviet Rejection of the Marshall Plan, 1947: Two Reports», Wdrow Wilson International Center for Scholars, Washington D.C., March 1994, f. 150
[xxvi]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1947, Dosja 22
[xxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 4, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1970, f. 118-119
[xxviii]po atje: f. 117
[xxix]Enver Hoxha: “Eurokomunizmi është antikomunizëm”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1980, f. 79-80
[xxx] «Marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 558
[xxxi] po atje: f. 558
[xxxii]po atje: f. 558
[xxxiii] po atje: f. 568
[xxxiv]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 295
[xxxv]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 149
[xxxvi]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 153
[xxxvii] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 357
[xxxviii]J. V. Stalin: Veprat, vol 6, Tipografija ushtarake, Tiranë 1952, f. 56
[xxxix]Enver Hoxha: «Me Stalinin», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, f. 60
[xl]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 117
[xli]Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Viti 1947, lista 1, dosja 1/1, fleta 1
[xlii]Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Viti 1947, lista 1, dosja 1/1, fleta 1
[xliii]N. S. Hrushov: «Kujtime», Shtëpia botuese «55», Tiranë 2006, f. 191
[xliv]  po atje: f. 190
[xlv] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 340
[xlvi]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 153-154
[xlvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 4, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1970, f. 165
[xlviii]po atje: f. 263
[xlix]po atje: f. 297
[l] po atje: f. 307
[li] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 466
[lii] Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1947, Dosja 1
[liii] Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1947, Dosja 1
[liv] Enver Hoxha: Vepra, vol 4, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1970, f. 382
[lv] po atje: f. 382
[lvi] po atje: f. 384
[lvii] po atje: f. 390
[lviii]po atje: f. 357
[lix] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 124
[lx] Public Record Office, 1946, Foreign Office 371/58495
[lxi] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 345
[lxii] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 126
[lxiii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 345-346-347
[lxiv]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 155-156-157
[lxv] «Marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 571
[lxvi]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 347
[lxvii]po atje: f. 347- 348
[lxviii]po atje: f. 347
[lxix]«Marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 126
[lxx] po atje: f. 126
[lxxi] po atje: f. 127
[lxxii] po atje: f. 127
[lxxiii]po atje: f. 127-128
[lxxiv] po atje: f. 128
[lxxv] po atje: f. 129
[lxxvi] po atje: f. 129
[lxxvii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 353
[lxxviii]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 157
[lxxix]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 129
[lxxx]po atje: f. 129-130
[lxxxi]po atje: f. 131
[lxxxii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 356
[lxxxiii]po atje: f. 354
[lxxxiv]po atje: f. 355
[lxxxv] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 166
[lxxxvi]Ismail Kadare: «Lulet e ftohta të marsit», «Onufri», Tiranë 2000, f. 92-94-95
[lxxxvii]po atje: f. 132-133
[lxxxviii]Arkivi i Jugosllavisë, Fondi SKSJ, 1X.8.V. f. 288
[lxxxix]«Dokumenta dhe qarkore të Partisë Komuniste Shqiptare», Botimi i Komitetit Qendror të PKSH, Tiranë 1948, f. 315
[xc] «Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 551-552
[xci]«Dokumenta dhe qarkore të Partisë Komuniste Shqiptare», Botimi i Komitetit Qendror të PKSH, Tiranë 1948, f. 315- 316
[xcii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 391
[xciii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 531
[xciv] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f.135
[xcv] po atje: f. 140
[xcvi] po atje: f. 140
[xcvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 4, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1970, f. 422
[xcviii]po atje: f. 413
[xcix]Enver Hoxha: Vepra, vol 7, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 364
[c] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 147
[ci]po atje: f. 157
[cii]po atje: f. 159
[ciii]Cituar sipas: Alan Bullock: «Hitler and Stalin: Parallel lives», New York, «Alfred Knopf», 1992, f. 616
[civ] Yuri Stepanovich Girenko: «Stalin u Tito», «Izd-vo Polit.lit-ry», Moskva 1991, f. 330
[cv] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 400- 401
[cvi] po atje: f. 403
[cvii] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 163
[cviii] po atje: f. 166
[cix] po atje: f. 167
[cx] po atje: f. 174- 175
[cxi] po atje: f. 170- 171
[cxii] po atje f. 202
[cxiii] po atje: f. 205- 206
[cxiv] po atje: f. 176
[cxv] po atje: f. 183
[cxvi] po atje: f. 183
[cxvii] po atje: f. 189
[cxviii]po atje: f. 198- 199
[cxix]Yuri Stepanovich Girenko: «Stalin u Tito», «Izd-vo Polit.lit-ry», Moskva 1991, f. 330
[cxx]Milovan Gjilas: «Fytyra e totalitarizmit», Shtëpia botuese «Fan Noli», Tiranë 2006, f. 90
[cxxi]po atje: f. 90
[cxxii]po atje: f. 90
[cxxiii]po atje: f. 93
[cxxiv]po atje: f. 93
[cxxv]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 205
[cxxvi]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 244
[cxxvii] po atje:  f. 257
[cxxviii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 208
[cxxix]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 405
[cxxx]po atje: f. 409
[cxxxi] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 402- 403
[cxxxii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, Arkivi i PPSH, viti 1948, dosja 82, fleta 45
[cxxxiii] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 403
[cxxxiv]Yuri Stepanovich Girenko: «Stalin u Tito», «Izd-vo Polit.lit-ry», Moskva 1991, f. 336
[cxxxv]po atje: f. 337
[cxxxvi]po atje: f. 337
[cxxxvii] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 403
[cxxxviii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, Arkivi i PPSH, viti 1948, dosja 82, fleta 45
[cxxxix] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996,  f. 404
[cxl]Milovan Gjilas: «Fytyra e totalitarizmit», Shtëpia botuese «Fan Noli», Tiranë 2006, f. 107
[cxli]po atje: f. 112-113
[cxlii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 404
[cxliii] po atje: f. 404
[cxliv]Milovan Gjilas: «Fytyra e totalitarizmit», Shtëpia botuese «Fan Noli», Tiranë 2006, f. 110-111
[cxlv] po atje: f. 113
[cxlvi]po atje: f. 116
[cxlvii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 400
[cxlviii] po atje: f. 401
[cxlix] po atje: f. 380
[cl] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 413
[cli] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 214
[clii] po atje: f. 242
[cliii] po atje: f. 242
[cliv] po atje: f. 242
[clv] po atje: f. 244
[clvi] po atje: f. 246
[clvii] po atje: f. 254
[clviii] po atje: f. 246
[clix] po atje: f. 331
[clx] po atje: f. 333
[clxi] po atje: f. 340
[clxii] po atje: f. 390
[clxiii] po atje: f. 390- 391
[clxiv] po atje: f. 391
[clxv] po atje: f. 392
[clxvi] po atje: f. 391
[clxvii] po atje: f. 383
[clxviii] po atje: f. 383
[clxix] po atje: f. 263
[clxx]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 260
[clxxi]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 416
[clxxii]po atje: f. 416
[clxxiii]po atje: f. 406-407
[clxxiv]po atje: f. 406-407
[clxxv]po atje: f. 407-408
[clxxvi] po atje: f. 407-408
[clxxvii] po atje: f. 409
[clxxviii]po atje: f. 413
[clxxix]po atje: f. 414
[clxxx] po atje: f. 416
[clxxxi] po atje: f. 417
[clxxxii] po atje: f. 415
[clxxxiii] po atje: f. 425