1.
Latifondisti total
Në maj 1946, gjashtë muaj pasi Hoxha iu drejtua fshatarësisë shqiptare nga katundi Gore i Lushnjës, duke i folur për një epokë të re që hapej me reformën agrare, regjimi iu rikthye përsëri reformës agrare, derisa ajo e vitit 1945 kishte përfunduar në një komedi. Për këtë gjë u fajësua Sejfulla Malëshova dhe në maj 1946 ndryshoi ligji për reformën agrare. Ligji i ri kishte si synim të shpallur që të bënte rindarjen e tokës në fshat sipas parimit të barazisë, pa iu bërë asnjë privilegj pronarëve të para reformës. Është domethënëse kritika që i bën më vonë reformës agrare të vitit 1945 historiografia zyrtare regjimit komunist:
Por edhe pronarëve që punonin tokën me mjete moderne iu lanë nga 40 hektarë, enteve fetare deri në 20 hektarë, ndërsa pronarëve që nuk merreshin fare me bujqësi iu dhanë deri në 7 hektarë tokë, me kusht që brenda dy vjetësh ta administronin ose ta punonin vetë.[i]
Duke konsideruar numrin e paktë të pronarëve të pasur, të cilët qenë prekur nga reforma agrare, nuk është se edhe sikur t’ u merrej diferenca e tokës këtyre pronarëve, do të kishte ndonjë gjë të madhe për t’ u ndarë. Zbatimi i ligjit përfundoi brenda gjashtë muajsh dhe solli padrejtësi të mëdha për popullsinë fshatare.
Sipas shifrave që dha vetë Hoxha në Kongresin I të PKSH, kjo fazë e dytë e reformës agrare konsistoi së pari në atë që u shpronësuan plotësisht 8714 pronarë tokash, të cilëve iu morën 54499 ha tokë.[ii]
Shpronësimi tërësor bëhej ndaj atyre të cilëve u konfiskohej pasuria me vendim të gjyqeve politike, ose me vendime administrative, që sipas modelit sovjetik kishin efektin e të parëve. Këtyre 8714 familjeve iu hoqën tërësisht mjetet e jetesës dhe sigurisht që anëtarët e këtyre familjeve, të cilët nuk u pushkatuan ose burgosën, u internuan. Këtë praktikë nuk e kishte përdorur kaq masivisht as regjimi fashist ndaj kundërshtarëve të tij në Shqipëri. Regjimi fashist shpronësoi plotësisht vetëm një numër të vogël njerëzish kryesorë të regjimit të Zogut. Nga reforma agrare gjithashtu u shpronësuan pjesërisht 10641 familje të cilave iu morën 64497 ha tokë.[iii]
Pra, reforma agrare preku me shpronësim gjithsej vetëm 19 354 familje, nga 133 681 familje fshatare që zotëronin tokë në pronësi, prej numrit të përgjithshëm prej 155 225 familjesh fshatare. Familjeve të shpronësuara tërësisht ose pjesërisht iu morën 118 996 ha tokë, ose mesatarisht më pak se 10 ha tokë për familje. Kjo supozohej të ishte klasa shfrytëzuese në fshat?! Derisa Reforma agrare, duke shpronësuar 118 996 ha tokë nga 340 292 ha tokë bujqësore që zotëronin pronarët privatë (prej 393 353 ha që kishte vendi), shpronësoi jo më tepër se rreth 35% të tokës së zotëruar nga pronarët privatë, del se kjo «klasë shfrytëzuese» zotëronte më pak se një të tretën e tokës bujqësore të vendit. Kjo tregon se problemi agrar në Shqipëri ishte një proces që kishte qenë duke shkuar spontanisht drejt zgjidhjes, në dy dekadat e fundit. Regjimi komunist në vend që ta zgjidhte e ndërlikoi atë në një formë të re. Shpronësimi u bë pa shpërblim, në kundërshtim me Kushtetutën e porsamiratuar të vendit.
Nga shifrat e mësipërme duket qartë se ajo që bëri reforma agrare ishte se shkatërroi fshatarësinë e mesme. Shpërbërja e pronës latifondiste, të papërfillshme në raport me sasinë e përgjithshme të tokës, si dhe shpronësimi masiv i shtresës së mesme, nuk e zgjidhte problemin e fshatarësisë shqiptare, që konsistonte në kombinimin fatkeq të një popullsie të madhe fshatare me një sasi të vogël toke të punueshme. Kjo kuptohet nga shifrat që dha Hoxha në Kongresin I të PKSH, se nga reforma agrare përfituan 48 667 familje të varfra dhe 21 544 familje pa tokë, të cilat morën gjithsej 155 559 ha tokë bujqësore. Kështu, nga reforma agrare përfituan 70211 familje fshatare, nga 155 225 familje fshatare që kishte vendi, pra më pak se gjysma e familjeve agrare, të cilat përfituan mesatarisht jo më tepër se 2.1 ha tokë për familje.[iv]Në nëntor 1948, dy vjet pas Reformës agrare, gjendja e pronësisë së tokës do të ishte kështu, sipas të dhënave që jep vetë Hoxha. Në fshat kishte 139 994 ekonomi individuale që kishin 369 068 ha tokë (nga 398 500 ha që kishte vendi), ose 2.6 ha për çdo familje. [v]Pra, ishte e qartë se rezultati i reformës agrare ishte se zhduku fshatarin e mesëm dhe i bëri të gjithë fshatarë të varfër. Pjesën e mbetur të tokës bujqësore prej 29 432 ha e zotëronin 56 kooperativat bujqësore (2428 ha), fermat shtetërore (17500 ha) dhe entet fetare (1062 ha).[vi]
Hoxha, pasi jep pasqyrën përmbledhëse të shifrave të përmendura më lart, thotë me sinqeritet prej komediani:
Këto shifra flasin vetë.[vii]
Shifrat me të vërtetë që në këtë rast janë eksplicite dhe elokuente në kulm! Reforma agrare në Shqipëri ishte shembull i zbatimit të utopisë agrare leniniste të pas Revolucionit, në një vend si Shqipëria që nuk kishte asnjë ngjashmëri me Rusinë sovjetike në këtë çështje. Kështu që në Shqipëri utopia do të rezultonte edhe më shkatërruese se në Rusi. Reforma agrare i barazoi të gjithë fshatarët në varfëri. Por reforma agrare bëri edhe një gjë tjetër të keqe, dhe në kundërshtim me Kushtetutën, dhe që Hoxha e kaloi me një fjali në raportin e vet në Kongresin I të PKSH:
Përveç 172 659 ha tokë të shpronësuar (Sipas të dhënave që jep Enver Hoxha këtu hynë edhe 50 000 ha të çifligjeve shtetërore- K.M.) që iu nda fshatarëvet të varfër dhe fshatarëvet pa tokë, reforma agrare mati dhe ndau edhe 147 341 ha që, në bazë të ligjës, u takonte pronarëve bujq që e posedonin dhe e punonin vetë.[viii]
Pra, iu mor toka që zotëronin disa fshatarëve dhe iu dha e njëjta sasi toke në një vend tjetër. Kuptohet se i vetmi motiv për këtë rindarje ishte ai politik. U merrej toka e mirë fshatarëve të papëlqyeshëm për regjimin dhe u jepej atyre që qenë të besuarit e regjimit. Sipas shifrave që jep Hoxha më lart, në këtë mënyrë u nda 46% e tokës që zotëronin të gjithë fshatarët veç latifondistëve. Hoxha kishte thënë në Gore të Lushnjës, në nëntor 1945, kur ndau tapitë e reformës agrare:
Gëzimin që ndiejmë ne sot të gjithë së bashku këtu, e ndjen edhe i tërë populli i Shqipërisë, pse sot në këtë ditë mbyllet një herë e mirë një faqe e zezë dhe e trishtuar, plot vuajtje e mjerime, plot gjak e lot.[ix]
Faqja që u hap do të ishte tmerrësisht e zezë dhe e trishtuar. Reforma agrare shihej si një interval deri tek kolektivizimi i bujqësisë. Prandaj fshatari privat nuk duhej lënë të prosperonte, në mënyrë se kështu cenohej imazhi i ndritur i kolektivizmit, që shërbente propaganda zyrtare. Intervali mes dy epokave do të ishte një periudhë detyrimesh të rënda. Nisur nga ato që ndodhën më vonë, fjalët e mëposhtme që Hoxha tha në Gore, qenë një humor i zi me fshatarët:
Ato që themi ne i mbajmë. Unë dhe shokët e mi të qeverisë ju urojmë nga zemra për tokën që morët. Rrofshi dhe e trashëgofshi brez pas brezi.[x]
Në fakt tokën nuk do ta gëzonte gjatë as brezi që e mori, se do të vinte kolektivizimi, pra shtetëzimi. Revolucioni agrar që bëri regjimi komunist në 1945-46 ishte gjëja më e keqe që mund ta gjente fshatin shqiptar që ishte në një proces evolucioni prosperizues që prej dy dekadash, proces ky që u përshpejtua me pushtimin italian të vendit në 1939. Ajo që kishte nevojë së pari fshati shqiptar ishte që krahët e tepërta të punës në ekonomitë e vogla fshatare me pak tokë, të largoheshin drejt qytetit, gjë që u mundësua me zhvillimin ekonomik që solli Italia në 1939 dhe sidomos me punët e shumta publike që filluan. Në fakt që në vitet tridhjetë dhe më tepër në fillim të viteve dyzet, me zhvillimin e ekonomisë në vend, ishte duke u vënë re rritja e popullsisë urbane me njerëz të ardhur nga fshati. Në anën tjetër, bankat filluan t’ u japin kredi fshatarëve për të blerë farëra të zgjedhura, plehra kimike, traktorë. Veç kësaj fshati shqiptar kishte nevojë që shteti të bënte për të punë të mëdha publike, siç qenë ujëmbledhësat, kanalet e mëdha ujitëse, bonifikimi i kënetave, gjë që filloi të bëhej sidomos që nga viti 1939 deri në 1943. Nëse ky evolucion do të kishte vazhduar pas luftës, me ndihmën e projekteve të mëdha perëndimore si Plani Marshall etj., fshati shqiptar do të kishte prosperuar. Prosperimi i bujqësisë do të kishte ndihmuar zhvillimin e industrisë së përshtatshme në qytete dhe do të stimulonte rritjen e popullsisë urbane me prurje nga fshati, çka do të zgjidhte problemin demografik të këtij të fundit. Zgjidhja afatgjatë për problemin e varfërisë në fshat që vinte nga sasia e vogël e tokës në raport me popullsinë ishte që një pjesë e mirë e popullsisë fshatarë të zhvendohej në qytete, duke u shndërruar në popullsi urbane. Regjimi komunist me reformën agrare e ndërpreu në mënyrë të dhunshme këtë proces në të dy linjat e tij.
Një nga pasojat e këqija imediate të reformës agrare ishte se u godit rëndë ajo pjesë e fshatarësisë që kishte filluar të punonte më tepër për modernizimin e bujqësisë, duke përfituar nga zhvillimi që kishte sjellë pushtimi italian. Në Konkluzionet dhe vendimet e Plenumit V, në shkurt 1946 u tha:
Me politikën tonë në bujqësi luftojmë çdo tendencë për zhvillimin e kulakëve.[xi]
Kulak quhej fshatari i cili donte të pasurohej duke punuar tokën që kishte. Goditja e padrejtë e kësaj pjese të popullsisë fshatare, e çoi bujqësinë në prag të katastrofës në vitet në vazhdim. Toka ra në duart e fshatarëve të varfër që nuk kishin as kapital dhe as aftësi për të punuar tokën e tyre siç kishin bërë pronarët e mëparshëm.
Hoxha, në përfundim të tablosë së tij për reformën agrare, tha në Kongresin I të PKSH:
Ndarja e tokës nga reforma agrare mori fund më 17 nëntor 1946 me habitjen dhe tronditjen e armiqvet.[xii]
Ai mund të kishte thënë fare mirë se reforma agrare mori fund me habitjen dhe tronditjen e fshatarëve. Fshatarëve iu dhanë tapitë e tokës dhe iu tha se qenë pronarë, por ata nuk kishin të drejtë ta shisnin dhe ta blinin tokën, se kjo ndalohej me ligj. Ky ishte një veprim tipik i despotizmave agrare orientale. Në fakt regjimi komunist e shikonte reformën agrare si një gjë të përkohshme, si një aspekt të propagandës, një fazë të ndërmjetme para kolektivizimit të bujqësisë.
Hoxha, në ceremoninë e ndarjes së tapive të para të reformës agrare, në Gore të Lushnjës, në 25 nëntor 1945, tha:
Ju duhet ta dini si bukën që hani se fati juaj është i lidhur ngushtë me fatin e këtij pushteti. Rrëzimi i këtij pushteti do të ishte skllavërimi për popullin tonë.[xiii]
Kjo ishte ajo që do të donte regjimi të mendonin fshatarët, por verën e vitit 1946, ata shikonin fatkeqësinë e tyre të lidhur ngushtë me regjimin në fuqi. Në qershor 1946 hyri në fuqi një tjetër masë e Komunizmit të luftës, sipas modelit të Rusisë bolshevike, famëkeqja Prodrazvyorstka, ose rekuizimi i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale nga ana e shtetit. Në Shqipëria kjo u quajt sistemi shtetëror i blerjes e grumbullimit të drithit dhe të prodhimeve blegtorale, që ishte llogaritur që të zbatohej që në korrjet e drithrave të verës dhe vjeshtës vjeshtës. Sipas ligjit fshatarit i merreshin të ashtuquajturat teprica të prodhimit të drithit, mishit, bulmetit, vezëve, duke u llogaritur të lihej një sasi për t’ u ushqyer ai dhe për të shitur në treg sa për të plotësuar nevojat e tij për të blerë në treg produkte industriale. Historiografia zyrtare e regjimit komunist shkruan mbi këtë çështje:
Kushtet e vështira që kalonte vendi në atë periudhë shtruan si një nevojë të domosdoshme që fshatarësisë prodhuese t’ i merreshin të gjitha tepricat e drithrave në formën e detyrimit, duke i lënë pjesën e nevojshme për sigurimin e ushqimit familjar dhe për riprodhimin. Kjo u realizua nëpërmjet sistemit të grumbullimit të detyrueshëm të drithrave të bukës (grurë, thekër, misër, oriz, elb, tërshërë). Dorëzimit të detyrueshëm iu nënshtruan edhe ullinjtë dhe duhani.[xiv]
Se cila ishte e vërteta e kësaj mase të regjimit, pohohet në një dokument të regjimit të 18 janarit 1949, një Instruksion i Komitetit Qendror të PPSH për sistemin e ri të grumbullimit dhe të furnizimit, ku thuhet për sistemin e mëparshëm, të përdorur nga viti 1946 e tutje:
Sistemi që u përdor pas çlirimit të Shqipërisë, ja merrte fshatarit të gjithë drithin, duke i lënë vetëm racionin e bukës, gjë që ishte jo e drejtë. Duke kërkuar të grumbullonim gjithçka që i tepronte fshatarit kemi rënë në konflikt me të, kemi rënë në burokratizëm, u kemi lënë vend hatëreve dhe akraballëqeve dhe së fundi nuk ka qenë kurrë e mundur të sigurohet fondi i grumbullimeve të shtetit. Por mbi të gjitha ky sistem ka thyer vullnetin e fshatarit për të prodhuar sa më shumë drithra. Por me gjithë këto gabime, kjo urdhresë në atë kohë ishte e nevojshme dhe solli shërbime.[xv]
Regjimi i Hoxhës filloi kështu luftën kundër fshatarëve, që përbënin realisht mbi 80% të popullsisë. Me këtë fshatari që kishte marrë tokën, mbi të cilën nuk kishte vërtet të drejtën e ponësisë, derisa nuk kishte të drejtë as ta shiste dhe as ta blinte, dhe të cilit i duhej të paguante detyrime kaq të rënda, ishte në fakt një bujkrob i tillë që nuk ishte parë as në ditët më të errta osmane. Me ligjin e rekuizimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale, shteti i trajtonte fshatarët edhe më keq se bujkrobërit, se bujkrobërit paguanin detyrime të rënda, por nuk u lihej vetëm aq sa për të mbajtur frymën gjallë. Ishte e qartë se në Shqipëri qe ngritur një despotizëm agrar, ku kreu i regjimit mund të quhej si latifondisti total i vendit.
Ligji i grumbullimeve ishte provë e dështimit të regjimit për të menaxhuar ekonominë e vendit sipas premtimit që kishte bërë Hoxha në raportin e mbajtur në emër të qeverisë para KANÇ (parlamenti partizan) në 26 shtator 1945, kur kishte thënë:
Tatimet dhe taksat indirekte, që në buxhetet e regjimeve të kaluara ishin burimi kryesor i të ardhurave shtetërore ua lanë sot vendin e parë tatimit dhe taksave direkte, të cilat nga natyra e tyre synojnë një drejtësi më të madhe në ndarjen e peshës së shpenzimeve të përgjithshme të shtetit.[xvi]
Ishte një gjë shumë sinjifikuese që regjimi nuk arriti që ta bënte këtë në fshat, në mbi 80% të ekonomisë së vendit, më tepër se në vitin e parë të tij, dhe kjo gjë për fajin e tij. Që të funksiononte sistemi i tatimeve dhe taksave direkte duhet të funksiononte tregtia, në mënyrë që tregtari t’ ia akaparonte prodhimet fshatarit dhe pastaj ky i fundit të mund të paguante tatimet dhe taksat. Por në kushtet kur regjimi e kishte paralizuar tregtinë sistemi fiskal nuk mund të funksiononte, kështu që regjimi ishte i detyruar që të zbatonte Prodrazvyorstkën. Vendosja e sistemit të grumbullimeve ishte një përgënjeshtrim i asaj që kishte thënë Hoxha, në raportin e mbajtur në emër të qeverisë para KANÇ në 26 shtator 1945:
E dhjeta, xhelepi dhe anakronizmat e tjera të sistemit fiskal otoman, të mbetura trashëgim nga kohërat më të errëta të sundimit të huaj, u zhdukën një herë e mirë nga jeta ekonomike e Shqipërisë, duke lënë në këtë mënyrë bujkun dhe blegtorin shqiptar të marrin frymë lirisht dhe të zënë vend si një faktor i parë ekonomik.[xvii]
Nuk kaloi as një vit dhe mbi fshatarësinë shqiptare rëndoi një detyrim shumë më i rëndë se ato otomane që përmedi Hoxha. Në fjalimin e vet të 26 shtatorit 1945 Hoxha u premtoi fshatarëve dhe gjithë banorëve të vendit se tash e tutje ata do të paguanin tatime dhe taksa sipas një sistemi të drejtë
«Komunizmi i luftës» i zbatuar në Shqipëri në vitet 1946-48 çoi në shkatërrimin edhe të blegtorisë së vendit. Hoxha dha në Kongresin I statistika për shifrat e bagëtisë dhe të kafshëve të punës në Shqipëri, para dhe pas luftës. Sipas tyre del se në 1938, Shqipëria kishte 418 mijë gjedhë (lopë dhe qe), ndërsa në 1945 kishte 393 mijë gjedhë, në 1938 kishte 1 milion e 850 mijë dhen, ndërsa në 1945 kishte 1 milion e 650 mijë dhen, në 1938 kishte 1 milion dhi, ndërsa në 1945 kishte 900 mijë dhi, në 1938 kishte 123 mijë njëthundrakë (kuaj, mushka, gomerë), ndërsa në 1945 kishte 113 mijë njëthundrakë.[xviii] Siç shihet dëmtimi i bagëtisë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore është minimal. Në vend që regjimi i ri të stimulonte zhvillimin e blegtorisë në vend, ai bëri të kundërtën me sistemin e grumbullimeve që vendosi. Këtë do të detyrohej që ta pohonte vetë regjimi në dokumentet e veta konfidenciale. Në 18 janar 1949, në Instruksionin e Komitetit Qendror të PPSH për sistemin e ri të grumbullimit dhe të furnizimit, thuhej për sistemin e mëparshëm të përdorur nga regjimi komunist nga viti 1946:
Sistemi i deritanishëm i grumbullimit të mishit në bazë të kokëve të bagëtisë jo vetëm që nuk ka mundur të sigurojë grumbullimin e sasive të duhura për plotësimin e nevojave të popullit tonë, por, ç’ është më keq, ka goditur zhvillimin e blegtorisë dhe e çonte atë drejt shkatërrimit të saj. Sistemi i ri i grumbullimit të mishit për hektar dhe për kokë do të sigurojë grumbullimin e sasisë së nevojshme të mishit për plotësimin e nevojave të masave punonjëse të qytetit.[xix]
Për fshatarësinë shqiptare, shumësinë e popullsisë së vendit, vendosja e sistemit të grumbullimit në vitin 1946 ishte një agresion brutal nga ana e shtetit, me synim grabitjen. Fshatarësia i bëri rezistencë sa mundi këtij banditizmi shtetëror. I përballur me këtë rezistencë të fshatarësisë, regjimi arriti deri atje sa ta shpallte krejt fshatarësinë e vendit si armike. Hoxha tha në Kongresin I të PKSH:
Lenini ka thënë më 1921 se:
«gjer sa ne rrojmë në një vënt mikro-fshatar, për kapitalizmin në Rusi është një bazë ekonomike më e fortë se sa për komunizmin, sepse prodhimi i vogël lind kapitalizmin dhe borgjezinë vazhdimisht, çdo ditë, çdo orë, spontaneisht dhe në një shkallë të gjerë»…
Nga rreziqe të mbëdha munt të kërcënohemi ne Komunistët shqiptarë në rast se nuk i kemi kurdoherë parasysh këto principe të mbëdha të leninizmit, pse vëndi ynë është një vënt bujqësor, ku mbretëron prona private e katundit në një shkallë shumë të prapambetur dhe ku ekzistojnë në fshat mentaliteti i vjetër, injoranca, fanatizmi etj.[xx]
Fshatarësia, mbi 80% e popullsisë, shpallej kështu armike. Se çfarë dëmi dhe sa viktima i kushtoi fshatarësisë shqiptare agresioni ndaj saj i shtetit në vitet 1946-48, kur u zbatua sistemi i përshkruar më lart i grumbullimeve, kjo është një gjë që nuk do të merret vesh kurrë. Grumbullimi i drithit dhe prodhimeve blegtorale u krye me operacione policoro-ushtarake, ku merrnin pjesë dhe të ashtuquajturat brigada të grumbullimit, të çuara nga qyteti dhe që ishin milici politike e regjimit. Metodat e përdorura në këtë operacion vinin drejtpërdrejt nga tradita e hajdutëve, banditëve të kohërave të mëparshme, të përjetësuar në këngë. Në këto operacione teprimet qenë një rutinë. Grabitësit shtetërorë nxirrnin dhe përfitime për vete, si për të ngrënë dhe pirë, ashtu dhe për të çuar në shtëpitë dhe tyre dhe për të shitur në tregun e zi. Dhunën ndaj fshatarëve në procesin e grumbullimit e pohon në gjuhë eufemike edhe historiografia zyrtare e regjimit komunis, e cila shkruan:
Organet e pushtetit nga ana e tyre, për të grumbulluar detyrimet kishin qenë të shtrënguara të merrnin shpeshherë masa administrative ndaj fshatarit.[xxi]
Në gjuhën orëelliane të regjimit me këtë kuptohet ushtrimi i dhunës policore për t’ i marrë prodhimet fshatarit. Detyrimet për fshatarin erdhën duke u bërë më të rënda në vitin në vazhdim. Në maj 1947 doli një urdhëresë shtetërore për të cilën në botimin zyrtar të regjimit, mbi dokumentet partiake, thuhet:
Është fjala për urdhëresën e Ministrisë së Tregtisë Nr. 21 dt. 29 maj 1947. Me këtë urdhëresë prodhuesit e drithit detyroheshin t’ i shisnin shtetit gjithë tepricat e grurit, thekrës dhe miellrat e tyre, duke mbajtur për vehte vetëm 17 kg drithë në muaj për frymë dhe vetëm për tre muaj (korrik-gusht-shtator). Shteti merrte përsipër që t’ u kthente prodhuesvet sasinë e tërhequr, në masën që nevojitej për plotësimin e nevojave ushqimore të familjes.[xxii]
Ky veprim i regjimit tregonte katastrofën ekonomike në të cilën gjendej ai. Është domethënëse se në botimin zyrtar të dokumenteve të partisë, të bërë më vonë, ky vendim nuk qortohet si i gabuar. Madje në 14 dhjetor 1947, në «Udhëzime të KQ të PKSH mbi masat politike të Partisë në fshat në lidhje me grumbullimin e drithit», urdhëresa e mësipërme merret përsipër nga Komiteti Qendror i PPSH:
Me qëllim që t’ i sigurohet buka popullit pushteti tonë mori masën e shpallur me anë të urdhëresës të Ministrisë së Tregtisë.[xxiii]
Vendimi u anulua sepse u pa që ishte thjesht i pazbatueshëm. Asnjë fshatar nuk mund të bindej që ta nxirrte nga shtëpia drithin që i duhej për bukën familjes gjatë vitit, duke i besuar premtimit se do t’ ia kthenin përsëri! Regjimi nuk kishte aspak kredenciale të mira për këto gjëra. Atëherë regjimi e anuloi vendimin e parë dhe në vend të tij nxorri një tjetër, drastik, por më të zbatueshëm, për të cilin në botimin e dokumenteve zyrtare të partisë, gjatë regjimit komunist, thuhet:
Kjo urdhëresë u zëvendësua më vonë me urdhëresën Nr. 1 të Kryeministrisë të dt. 2 korrik 1947, me anë të së cilës prodhuesit e drithit detyroheshin gjithashtu t’ i shisnin shtetit gjithë tepricat e drithit, duke mbajtur për nevojat familjare vetëm 250 kg grurë, misër apo thekër për frymë në vit.[xxiv]
Urdhëresa përcaktonte kështu një kuotë fikse minimale për drithin që do t’ i lihej fshatarit, duke ia marrë gjithë sasinë tjetër. Zbatimi i sistemit të grumbullimeve çoi urinë e viteve 1946-1948 në fshat, e cila në fakt ishte një shkallëzim i urisë së vitit 1945. E veçanta e kësaj urie ishte se ajo përfshiu masivisht edhe fshatin veç qytetit. Numri i vdekjeve prej saj nuk do të merret vesh kurrë, edhe sikur të bëhen kërkime mbi vdekshmërinë në ato vite në regjistrat e gjendjes civile. Regjimi komunist kishte praktikën që nuk i çregjistronte të vdekurit nëse këtë gjë nuk e bënin familjarët, dhe në fshat në atë kohë të vështirë, jo të gjithë vdekjet regjistroheshin aty për aty. Me kalimin e viteve e vërteta është mbuluar nga shpërthimi demografik.
Zbatimi i komunizmit të luftës në fshatin shqiptar, në kohë paqeje, rreth dy vjet pas përfundimit të luftës, në vitet 1946-48, nuk ishte thjesht tregues i zbatimit dogmatik të utopisë, sipas modelit bolshevik rus. Studiuesit e komunizmit rus kanë diskutuar gjatë për atë nëse politika e Komunizmit të luftës e zbatuar në Rusi, sidomos në rastin e fshatit, ishte një politikë e ndjekur nga forca e rrethanave, apo rrethanat u panë si konvenuese për të zbatuar agjendën bolshevike të përmbysjes shoqërore. Rasti i Shqipërisë jep një përgjigje interesante për këtë pyetje. Në Shqipëri rrethanat për zbatimin e komunizmit të luftës në fshat u krijuan nga regjimi, si rezultat i politikës së tij ekonomike në qytet. Rasti i Shqipërisë tregon se komunizmi i luftës ishte një politikë e natyrshme për një regjim si ai bolshevik i pas Revolucionit të Tetorit në Rusi, apo si ai që erdhi në fuqi në Shqipëri, në nëntor 1944. Do të ishte shkatërrimi i infrastrukturës private të ekonomisë së vendit, ajo që do të çonte në zbatimin e politikës së Komunizmit të luftës në Shqipëri. Pra, Komunizmi i luftës në Shqipëri do të ishte i arsyeshëm në rrethanat e luftës që regjimi i ri i shpalli shoqërisë shqiptare. Dy fushata të kësaj lufte, reforma agrare dhe sistemi i grumbullimeve që e pasoi atë, do t’ i sillte fshatarësisë shqiptare më shumë dëme se Lufta e Dytë Botërore. Në kohën që regjimi merrte vendimin për ta çuar fshatarësinë në gjendjen e shoqërive despotike agrare, ai i përcaktonte vetes si sfidë ndërtimin e utopisë agrare. Hoxha do të thoshte në raportin e mbajtur në Plenumin V:
Në lidhje me bujqësinë dhe me perspektivat tona, ne duhet të ecim në krijimin e disa fermave modele, përveç këtyre që janë, ku të punohet me kujdesin më të madh, jo vetëm për një prodhim të përsosur, por që të bëhen dhe një nxitje për favorizimin dhe shpejtimin e kolektivizimit të tokave.[xxv]
Në fakt ekonomitë bujqësore kolektive, të çdo lloji, u bënë model i dështimit dhe vetë Hoxha deri në vdekje do të ankohej se parcelat e tokës personale që u qenë lënë fshatarëve kooperativistëve, jepnin më shumë prodhim se ekonomitë kolektive bujqësore.
Megjithë detyrimet e rënda me të cilat i ngarkoi fshatarët, regjimi nuk qe në gjendje që të furnizonte tregun, detyrë të cilën e kishte marrë përsipër vetë kur kishte ndaluar tregtinë private me shumicë, prandaj në shtator 1946 në vend u vendos sistemi i triskëtimit të ushqimeve, i cili, në forma të ndryshme, praktikisht do të vazhdonte derisa të ekzistonte regjimit komunist.
Ishte ironi e madhe se Shqipëria komuniste do të kalonte nëpër karikaturën e atyre fazave të konfliktit që i përcaktonte marksizëm-leninizmi për shoqëritë me klasa. Kështu, vendi do të kalonte karikaturën e kryengritjes fshatare, me rebelimin masiv të fshatarëve që vidhnin produktin e punës së tyre, do të kalonte karikaturën e revolucionit borgjez, me nomenklaturën që rebelohej ndaj sistemit duke i shndrruar ndërmarrjet që drejtonte, praktikisht në pronë private borgjeze, dhe në fund do të kalonte karikaturën e revolucionit komunist, duke mësyrë të gjithë të shpronësonin shtetin praktikisht skllavopronar.
2.
«Një grua plakë kurveleshase, me tumane e me shami të zezë, që sigurisht një ose dy djemtë e saj kishin rënë në fushën e nderit për çlirimin e atdheut, gërmonte me kazëm hendekun e rrugës publike dhe e dëgjoja që këndonte: Ndërtoj Shqipërinë e re, ndërtoj Shqipërinë time».
Në raportin e paraqitur në mbledhjen e Byrosë Informative, në nëntor 1949, me titull «Partia Komuniste Jugosllave në duart e vrasësve dhe spiunëve»thuhet:
Kohët e fundit Titoja ka përdorur një nga format më të egra të çfrytëzimit, punën e detyruar pa pagesë në përfitim të kapitalit të huaj. Kjo quhet «punë vullnetare» për çfrytëzimin e pyjeve, ndërtimin e rrugëve, etj… Dhjetëra dhe dhjetëra mijë njerëz janë dërguar me forcë në çfrytëzimet pyjore… Përveç njerëzve merren gjithashtu «vullnetarisht» edhe kafshët e tërheqjes: kuaj, qe me karro. Kjo punë e detyruar po ndesh në një rezistencë përherë më të ashpër nga ana e masave.[xxvi]
Hoxha e mbështeti pa rezerva qëndrimin e Byrosë Informative ndaj Titos, dhe do ta bënte këtë gjë deri në fund të jetës. Por vetë Hoxha do të përdorte gjerësisht në Shqipëri, punën e detyruar, të ashtuquajtur punë vullnetare. Hoxha, në raportin e mbajtur në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, në tetor 1946, do të thoshte:
Një grua plakë kurveleshase, me tumane e me shami të zezë, që sigurisht një ose dy djemtë e saj kishin rënë në fushën e nderit për çlirimin e atdheut, gërmonte me kazëm hendekun e rrugës publike dhe e dëgjoja që këndonte: «Ndërtoj Shqipërinë e re, ndërtoj Shqipërinë time». Ja forca që e shtyn popullin tonë përpara.[xxvii]
Këto fjalë të Hoxhës ngjajnë veçanërisht cinike nën dritën e paragrafit të mësipërm të Byrosë Informative. Hoxha i detyroi edhe nënat e dëshmorëve të bënin punë të detyruar të ashtuquajtur vullnetare, madje edhe duke kënduar. A thua se dy djemtë dëshmorë u vranë që nëna e tyre të punonte me kazmë në kanal. Por ishte sidomos rinia ajo që u përdor masivisht në punën e detyruar të ashtuquajtur vullnetare. Hoxha tha në Kongresin I të PKSH, për ndërtimin e Rrugës Kukës-Peshkopi, që filloi në 1946:
në qershor të atij viti filluan punimet për ndërtimin e rrugës Peshkopi-Bicaj. Rinia jonë iu përgjigj thirrjes së Partisë dhe më tepër se 25.000 të rinj e mbaruan me sukses detyrën e tyre.[xxviii]
Të rinjtë punuan në ndërtimin e kësaj rruge që kalonte në shpatet e maleve, në kushtet më primitive të imagjinueshme, duke thyer shkëmbin me vare. Regjimi i hyri ndërtimit të kësaj rruge, se ai donte të tregonte se po bënte diçka të re. Por ajo që tregoi regjimi ishte se si mund të kthehej njeriu pas në kohën e ndërtimit të piramidave. Si përfundim ajo që u ndërtua nuk ngjante aspak me një rrugë dhe do të ishte e papërdorshme derisa nuk u rindërtua shumë vite më vonë. Në raportin e vet në Kongresin I, Hoxha tha se 30.230 të rinj kishin punuar vullnetarisht (lexo: me detyrim) për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin dhe 24000 të tjerë për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë.[xxix]
Të ashtuquajturit «vullnetarë» punonin shpesh pranë të burgosurve, të cilët bënin punë të detyruar. E ashtuquajtura «punë vullnetare», për shkak të kushteve primitive në të cilat kryhej, shkaktonte viktima të shumta, duke u bërë pjesë e genocidit të regjimit ndaj popullit. Propaganda e regjimit do t’ i eksploitonte këto ngjarje për të ngritur kultin e Enver Hoxhës, siç ndodhi në Konferencën III të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në tetor 1949, ku u përmend:
heroizmi legjendar i 26 heronjëve të jetës së re, 20 të rinjve nga Kukësi që duallën nga bankot e shkollës, nuk pranuan të shkonin në shtëpia po u nisën për n’ aksion. Të zënë nën kamionë duke u djegur me flakë e me benzin, ata thërrisnin: «Të rrojë Partija! Të rrojë Enveri!» Fjala e tyre mori dhenë. Dhe brenda javës dualën po nga Kukësi 150 të rinj të tjerë.[xxx]
Këto fjalë duhen lexuar kështu: Të rinjtë kuksianë që mbaruan shkollën nuk u lejuan të shkojnë në shtëpi por u hipën në kamionë dhe u çuan me forcë për punë «vullnetare». Meqënëse mungonte alkooli për frenat, shoferët e hollonin atë me ujë (madje shpesh alkooli mungonte fare kështu që shoferët e zëvendësonin me ujë me sapun) dhe frenat nuk mbanin mirë kështu që dy kamionë u përmbysën dhe morën flakë. Të rinjtë duke u djegur mallkonin partinë dhe Enver Hoxhën. Brenda javës regjimi mori me forcë 150 të rinj të tjerë kuksianë për t’ i çuar në vend të tyre.
Ashtu siç thuhej në raportin e Byrosë Informative për Jugosllavinë, edhe në Shqipëri puna e detyruar masive shkaktoi rezistencë e cilia u shtyp nga organet e dhunës së regjimit. Projekti i parë i madh dhe i bujshëm i regjimit, i konceptuar si një vepër propagandistike, dhe i realizuar me punë të detyruar, të «vullnetarëve» dhe të burgosurve, ishte tharrja e kënetës së Maliqit, në vitet 1946-1947. Regjimi donte të bënte diçka të veçantë, të dukshme, që linte mbresë tek populli. Në të vërtetë kjo ndërmarrje do të ishte dhe katastrofa e parë e madhe ekologjike që shkaktoi regjimi. Këneta e Maliqit ishte në fakt një liqen, i cili ishte shndërruar prej daljes nga shtrati të ujërave të Lumit Devoll. Si liqen figuronte me këtë emër në hartat e huaja të paraluftës dhe kështu do ta quante edhe vetë Hoxha në fjalimin që mbajti në 12 tetor 1947 në mitingun e mbajtur në Maliq me rastin e përfundimit të fazës së parë të punimeve:
Sot po inagurohet mbarimi i punimeve të para të Maliqit; në pranverën e ardhme do të fillojnë punimet në pjesën e sipërme dhe për sistemimin e gjithë liqenit.[xxxi]
Ajo çka duhej të ishte bërë ishte që të sistemohej shtrati i Lumit Devoll dhe të bonifikoheshin moçalet përreth brigjeve të liqenit. Kështu do të përfitohej tokë, çka ishte qëllimi i projektit, dhe do të ruhej liqeni dhe ekosistemi rreth tij, ku kishte koloni kafshësh dhe shpendësh të rralla, çka bënte që atje të vinin vizitorë nga gjithë Europa, për gjueti dhe eksplorim. Në vend që të bënte këtë, regjimi vendosi të thajë liqenin bashkë me moçalet përreth tij. Hoxha e mbajti fjalën, vitin tjetër u zhduk edhe liqeni. Punimet u kryen në mënyrën më primitive, me forcën e krahëve, duke punuar njerëzit me kazma dhe lopata për të ndërtuar kanalin e madh, digën dhe argjinaturat. Mungesa e teknologjisë bëri që të shkaktohen shumë aksidente në punë, dhe për pasojë do të kishte shumë të vdekur. Regjimi, sipas manualit stalinian, ua atribuoi këtë sabotatorëve. Hoxha tha në fjalimin e mbajtur në Maliq, në tetor 1947:
në këtë vepër të rëndësishme për ngritjen e ekonomisë sonë, kemi pasur edhe pengesa, edhe akte sabotazhi të kryera nga elementë teknikë armiq të popullit, të shitur me dollarë e stërlina te i huaji, të cilët siç ka dalë edhe në gjyqet e zhvilluara më parë dhe siç doli akoma më qartë në gjyqin që u zhvillua në Tiranë, janë përpjekur të na luftojnë në rrugën tonë të ndërtimit me qëllim që ndërmarrjet tona të mos realizohen, të mos mundim të forcojmë ekonominë tonë, por të mbetemi të varur ekonomikisht dhe t’ i zgjatim dorën imperialistëve anglo-amerikanë, duke humbur kështu pavarësinë tonë ekonomike dhe politike, duke krijuar kështu shesh të lirë për qëllimet e tyre grabitqare. Ata janë përpjekur të na sabotojnë në punën tonë të ndërtimit edhe me qëllim që, duke mos u realizuar veprat që ndërmerrnim, të diskreditohej pushteti para masave, ta nxirrnin pushtetin tonë të paaftë, etj.[xxxii]
E vërteta e gjyqit kundër të ashtuquajturve sabotatorë të punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, doli në procesin hetimor të Xoxes, dy vjet më pas ku u zhvillua ky dialog mes Prokurorit, Spahiut, dhe të pandehurit Xoxe:
Pyetje: Në procesin e datës 11.2. 1949 ke thënë se për ndonjë proces të rëndësishëm ke shfaqur mendimin për dënimet që duhej të caktonin gjykatat. A qëndron gjithnjë në këtë mendim?
Përgjigje: Gjyqet e rëndësishme, siç janë Gjyqi Special, gjyqi i Maliqit, i deputetëve, i S.B.S, dy tre gjyqe që janë bërë në Shkodër, nja dy një Gjirokastër e në Korçë, u janë caktuar dënimet gjykatave me vendim të Byrosë. Gjykatat kanë pasur direktivë që të konsultoheshin në dhënien e dënimeve me organet e Sigurimit e të Partisë.[xxxiii]
Prokurori që e pyeste Xoxen ishte vetë anëtar i Byrosë Politike kështu që nuk u shty më tej me pyetje për këtë çështje. Nëse britaniko-amerikanët do të donin të minonin regjimin e Hoxhës, ata mund t’ i kishin thjeshtuar gjërat duke mos i dhënë ndihma me anë të UNRRA në vitet 1945-1946, çka do ta kishte dëmtuar regjimin shumë më tepër se sabotimet e supozuara. Fajësimi i amerikanëve për sabotimin e punimeve në kantierin e Maliqit u bë qartësisht për t’ i detyruar amerikanët që të largohen nga Shqipëria, në shenjë proteste. Hoxha e pohon tërthorazi këtë gjë, kur thotë:
Gjyqi do t’ i demaskonte përfundimisht. Kjo ishte humbje e madhe për misionin amerikan, sidomos për Fulcin. E ndienë thellë frikën dhe, para se të fillonte gjyqi kundër sabotatorëve të kënetës se Maliqit, Xheikobsi dhe Fulci ikën nga Shqipëria. Një pjesë e misionit amerikan qëndroi për të ndjekur ngjarjet. Ai anglez kishte ikur më parë.[xxxiv]
Misioni amerikan në Shqipëri u largua përfundimisht në mes të nëntorit 1946. Ajo që të bën përshtypje në historinë e montimit të akuzave nga regjimi ndaj diplomatëve amerikanë është fakti se kjo ndodhi në kohën që regjimit i duhej vota e SHBA në Këshillin e Sigurimit të OKB, për të kaluar në seancën plenare të Asamblesë së OKB kërkesa e Shqipërisë për t’ u bërë anëtare. Akuzat për sabotim adresuar përfaqësuesve të shtetit amerikan, nuk qenë sigurisht një mënyrë për të marrë votën amerikane në Këshillin e Sigurimit, cka edhe ndodhi. Në 18 tetor 1946, Hoxha i çoi një telegram sekretarit të përgjithshëm të OKB, Trygve Li, ku proteston që Shqipëria nuk u pranua në OKB në votimin e para pak ditëve:
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit më datë 29 gusht 1946 Shqipëria u pranua me pesë vota pro dhe tri kundër në radhën e atyre shteteve, që do t’ i paraqiten mbledhjes plenare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për t’ u pranuar si anëtare efektive e asaj organizate të lartë. Por me hidhërim të madh populli shqiptar pa se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglia përdorën fuqinë e vetos kundrejt kësaj të drejte të merituar dhe të fituar me gjak e me sakrifica nga ana e popullit shqiptar dhe Shqipëria u hoq nga lista e shteteve që do të rekomandoheshin për anëtarë.[xxxv]
Hoxha do ta përdorte gjyqin e montuar të sabotimit të punimeve në Maliq, për të detyruar dhe UNRRA-n të largohej nga Shqipëria. Ai rrëfen për këtë çështje në kujtimet:
Në veprimtarinë për sabotimin e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, në bazë të deponimeve të vetë të pandehurve, doli se, përveç Fulcit dhe pjestarëve të misionit të tij, kishin dorë edhe dy anëtarë me përgjegjësi të misionit të UNRRA-s, Udard dhe Xhons. Ne i dërguam një notë misionit ku theksonim se këta dy anëtarë të tij i shpallnim persona të padëshirueshëm. Kjo na e paskej indinjuar thellë kryetarin e misionit, zotin Fllad, i cili me anë të një letre, më kërkonte takim për të protestuar dhe për të më bërë të ditur një vendim të tij. E kuptova se edhe këta po mblidhnin leckat. «Nga sytë këmbët» thashë me vete. Na e kishin sjellë në majë të hundës dhe kandari s’ mbante më.[xxxvi]
Kështu ia shpërblente Hoxha UNRRA-s ndihmën që i kishte dhënë vendit në momentet më të vështira. Sikur të mos mjaftonte puna e detyruar, regjimi e bënte popullin të festonte me detyrim. Për të kamufluar, në sens potemkinian, spektaklin e trishtë të vënies së njerëzve të uritur në punë të detyruar masive, regjimi do të bënte rituale masive propagandistike, me pjesëmarrje të gjerë popullore të detyruar. Komunistët, të cilët gjatë luftë i kishin premtuar popullit panem et circenses, në formën e utopisë së «lugës së florinjtë», tash po e bënin popullin të luante në cirk, për për të harruar që nuk kishte bukë. Regjimi kishte një agjendë që nuk pushonte kurrë të festimit të përvjetorëve të diçkaje. Çdo vit festohej 1 maji me parakalim popullor para tribunës ku rrinte udhëheqja. Gjithashtu festoheshin 8 nëntori, dita e krijimit të partisë, 24 maji, që mbahej si data e krijimit të shtetit komunist, 16 shtatori, dita e Konferencës së Pezës, 16 tetori, ditëlindja e Hoxhës, 29 nëntori, dita e çlirimit, gjithë ditët e çlirimit të qyteteve e krahinave, ditët e krijimit të çetave e brigadave partizane, 10 korriku, dita e krijimit të ushtrisë partizane. Përkujtoheshin ditët e rënies së dëshmorëve komunistë, ditët e betejave të rëndësishme partizane. Gjithashtu festoheshin kongreset e partisë, grave, rinisë, Bashkimeve Profesionale, kooperativave bujqësore, të cilët bëheshin periodikisht, kështu që çdo vit do të binte një kongres. Festoheshin përvjetorët e Revolucionit të Tetorit, ditëlindja e Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit, Titos, Mao Ce Dunit. Festat bëheshin më të mëdha kur qenë jubile dhe bëheshin një herë në pesë ose dhjetë vjet, si p.sh., 25 vjetori i çlirimit, apo 110 vjetori i lindjes së Leninit.
Regjimi i ri promovoi praktikisht një kalendar të ri që shënonte erën e re të vendit, dhe që fillonte me krijimin e PKSH në 8 nëntor 1941, çka merrej praktikisht si dita e krijimit të botës. Çdo datë tjetër themelore e historisë së shtetit shqiptar duhet të rigjente ekuivalentin e saj pas kësaj date të krijimit të botës. Kështu, si datë fillestare e krijimit të shtetit shqiptar do të shënohej 24 maji 1944 me Kongresin e Përmetit, e kështu me radhë. Hoxha do të deklaronte në 15 shtator 1963, në një miting në Çorovodë:
Datat e shënuara të Luftës sonë Nacionalçlirimtare qëndrojnë si piramida të pashkulshme nga kohët.[xxxvii]
Kjo ishte një gjuhë faraonike! Për regjimin e Hoxhës Lufta e Dytë Botërore do të përdorej në një funksion të dyfishtë mistik. Nga njëra anë ishte miti i vitit zero, i vitit të parë pas «Përmbytjes së Madhe», pas të cilit çdo gjë duhej ndërtuar nga e para, çka do të përbënte deri në fund të regjimit justifikimin për gjendjen e keqe ekonomike. Në anën tjetër lufta do të ishte burimi i legjitimimit të pushtetit, ekuivalenti i transhendencës për pushtetet e bazuara në fe. Tempujt e kësaj feje virtuale do të qenë varrezat e dëshmorëve, si dhe lapidarët, monumentet, bustet e tyre, pllakat përkujtimore të ngjarjeve të luftës etj. Përkujtimi i të rënëve të luftës dhe i betejave të saj do të përbënte bazën për ritualet e fesë së re të krijuar nga regjimi që kishte kalendarin e saj të martirëve, vendet e shenjta ku qenë sakrifikuar ata, dhe që qenë bërë vende pelegrinazhi. Në pjesën më të madhe të gjitha këto nuk kishin asnjë lidhje me atë që kishte ndodhur në realitet, por qenë sajesa të propagandës së regjimit. Derisa pasja e një dëshmori në familje ose në fis qe një nder i madh, numri i dëshmorëve të luftës mbetej qëllimisht i pafiksuar dhe Hoxha, derisa në total përmendte shifrën hermetike prej 28 000 dëshmorë, kur fliste në krahina të ndryshme qëllimisht i linte të hapura shifrat. Në 15 shtator 1963, në fjalimin e vet në mitingun në Çorovodë, Hoxha do të thoshte:
Vetëm nga rrethi i Skraparit dolën rreth dy mijë partizanë aktivë. Po partizan mund të quhet gjithë populli i krahinës suaj që përbënte prapavijën, e cila ishte po aq e rëndësishme sa edhe çetat e batalionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Nga ky numër partizanësh ranë mbi 140 dëshmorë nga rrethi juaj, eshtrat e të cilëve prehen këtu dhe në gjithë anët e Shqipërisë.[xxxviii]
Në 20 shtator 1959, Hoxha në mitingun në Bicaj të Kukësit me rastin e 16 vjetorit të krijimit të Çetës së Lumës, tha:
Mbi 45 dëshmorë ranë në luftë nga krahina juaj.[xxxix]
Kjo ishte gjuha e komedianit. Me frazën «mbi 45 dëshmorë» Hoxha donte të thoshte se numri i dëshmorëve të luftës nacionalçlirimtare mbetej i hapur dhe mund të shtoheshin të tjerë në të ardhmen, duke u shpallur dëshmorë njerëz të tjerë të afërm të kuadrove të reja që ngriheshin në nomenklaturën e regjimit. Kështu, regjimi, duke vazhduar të shpallte dëshmorë, ndoshta do të arrinte shifrën prej 28 000 dëshmorësh.
Edhe pse regjimi në circens u jepte një vend të nderuar veteranëve të luftës, shpërblimi për ta ishte qesharak. Hoxha do të thoshte në një diskutim në Byronë Politike në 1980:
Ne kemi dhënë një shpërblim simbolik prej 100 lekësh në muaj për të nderuar ata që kanë bërë luftën.[xl]
3.
Revanshi i «Tarasit-Herman»: karta sovjetike në kombinacionin magjik
Gjëja që e kishte kthyer balancën në dëm të Hoxhës në plenumin e Beratit kishte qenë aleanca e Spirut me Xoxen. Në rast se i dërguari jugosllav Stoiniç nuk do ta kishte kthyer Spirun kundër Hoxhës në Berat, nuk do të mund të flitej për një klikë që kishte uzurpuar drejtimin e partisë, se do të dilte që vendimet qenë marrë nga shumica e anëtarëve të Byrosë Politike. Gjithashtu, nëse Spiru do të kishte qenë në anën e Hoxhës në Berat, nuk do të dilte sikur klika që kishte uzurpuar drejtimin e partisë ishte klikë thjesht muslimane, çka edhe pse nuk thuhej hapur, nënkuptohej, derisa si anëtarë të klikës qenë shenjuar tre muslimanë: Hoxha, Liri Gega dhe Ramadan Çitaku (ky i fundit me sa duket thjesht për ta bërë klikën të ngjante krejt muslimane). Në Berat kishte lindur klika e të krishterëve ortodoksë në udhëheqjen e partisë, e cila kishte marrë efektivisht drejtimin e partisë dhe të shtetit. Por kjo klikë e re kishte një pikë të dobët: rivalitetin mes Xoxes dhe Spirut. Spiru kishte bashkëpunuar me Xoxen kundër Hoxhës në plenumin e Beratit, por Spiru kishte menduar se do të ishte ai vetë që do të zinte vendin e Hoxhës. Spirun filloi ta shqetësonte pikërisht ajo gjë që rrëfen Hoxha në kujtimet:
Por Koçi u shty përpara se jugosllavët i vunë rëndësi «maqedonasit» Xoxe, e frynë, e pompuan dhe në planet e tyre ishte ai që duhej të bëhej kryesori. Koçi filloi të vishet «gjenerallejtnant», ishte ministër i Brendshëm dhe sekretar organizativ i Partisë, si Rankoviçi në Jugosllavi. Filloi të bëhej arrogant, prepotent, mbahej si njeriu «që i di të gjitha».[xli]
Njeriu i tretë i regjimit komunist, Spiru, ishte Kryetar i Këshillit Ekonomik, kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, pra shef i ekonomisë së regjimit, drejtor i Drejtorisë së Agjitacion-Propagandës në Komitetin Qendror, pra shef i propagandës së regjimit, si dhe Sekretar i Përgjithshëm i BRASH, organizatës së rinisë. Spiru e shikonte organizatën e rinisë si një bazë fuqie personale, si gardën e vet personale burokratike, duke kërkuar të promovojë sa më tepër njerëz të saj në poste me rëndësi në të gjitha shkallët e piramidës së regjimit. Pikërisht kjo prirje e fundit e Spirut do ta çonte atë në konflikt me Xoxen, i cili e shikonte sektorin e kuadrit si domenin e vet personal. Derisa Spiru e shikonte Xoxen si një aleat inferior, të cilin do ta manipulonte, ky i fundit, sa më tepër fuqizohej, aq më tepër i bënte presion Spirut, që ky të ishte thjesht leitnanti i tij i bindur. Konflikti mes Spirut u bë i paevitueshëm kur Xoxe, pas dënimit të Sejfulla Malëshovës, e zbuloi lojën e tij, gjë për të cilën Hoxha shkruan:
«Kryekuadroviku» po gatitej të merrte frenat, të hapte dosjet. Nën maskën e luftës kundër elementëve armiq, të futur «nën ndikimin e vijës oportuniste të Malëshovës», Koçi Xoxe do të gjente shteg për ta shtrirë «vijën e kontrollit», të survejimit, të ndjekjes e të dënimit në të gjitha drejtimet, veçanërisht ndaj kuadrove të shëndoshë në Parti e në pushtet.[xlii]
Në shënjestër të Xoxes në këtë fazë qe veçanërisht njeriu i pabindur i klikës së tij, Spiru. Xoxe, në mënyrën e vet brutale, kërkoi t’ i tregonte Spirut se ai mund ta shkatërronte. Hoxha do të zbulonte në mbledhjen e Byrosë Politike të 24 dhjetorit 1947, pas vdekjes së Spirut, fakte që tregonin se ky i fundit ndihej i shantazhuar që në mars 1946:
deri sa mbërrin të më thotë se «të mos ishte ti, Liria do të kishte përfunduar në burg». Këtë e bënte për të krijuar atmosferën se edhe ne dyshohemi, që të na vinte në dyshim se edhe ne kontrollohemi. Ai mori shembull, se gjoja një person i Mbrojtjes (Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit që kryesohej nga Koçi Xoxe deri në mars 1946- K.M.) paska pyetur në familjen e Nakos në Durrës se si kish ikur Nakoja nga burgu. Megjithëse unë i thashë se «nuk është ashtu», ai m’ u përgjigj se «është e vërtetë». Kur unë kam pyetur Koçin mbi këtë gjë dhe ai është interesuar si qëndron e vërteta, nuk rezulton asgjë.[xliii]
Xoxe ka dashur t’ i bëjë shantazh Spirut me faktin e njohur prej tij se kur u lirua nga burgu kishte firmosur për policinë sekrete fashiste. Gjithashtu këtu shihet se Xoxe i ka bërë shantazh Spirut edhe në drejtim të gruas së këtij të fundit, Liri Belishovës. Hoxha këtu nuk shpjegon se përse ai, me të marrë këtë informacion nga Spiru nuk thirri, sipas rregullave partiake, mbledhjen e Byrosë Politike dhe më pas të Komitetit Qendror, për t’ a diskutuar këtë çështje shumë serioze, kur një anëtar i Byrosë Politike ndihej i shantazhuar nga një tjetër anëtar i Byrosë Politike dhe ministër. Merret vesh, forumet e partisë qenë diçka dekorative në sfond. Këto çështje zgjidheshin mes «zotave të Olimpit» komunist, politbyroistëve, me intriga dhe klika. Spiru në vend që t’ i nënshtrohej Xoxes, siç priste ky i fundit, e pranoi sfidën e tij, dhe zgjodhi të luftojë kundër tij, gjë që Xoxe nuk e priste. Kjo zgjedhje e Spirut e bëri atë aleat natyral të Hoxhës. Ajo që i bashkonte tashmë Hoxhën dhe Spirun ishte frika nga fuqizimi i Xoxes.
Tashmë që po shihej se Xoxe po shkonte drejt postit të Sekretarit të Përgjithshëm, dhe kur pritej që ai të vinte një njeriun e vet në postin-kyç të sekretarit organizativ të partisë, që automatikisht do të thoshte dhe marrje e postit të ministrit të Brendshëm, Spiru filloi të trembej për të ardhmen e vet. Teza kryesore e kritikës së Xoxes në Berat, se partia kishte gabuar ngase duke qenë një parti në teori e punëtorëve në praktikë kishte rënë në dorë të intelektualëve, ndërsa ishte korrekte nga aspekti i ortodoksisë ideologjike, ishte mjaft shqetësuese për Spirun, i cili sipas standardeve të PKSH, ishte një intelektual. Spiru e kishte pranuar në Berat tezën e Xoxes, duke e kqyrur si konvenuese për të goditur Hoxhën. Por tashmë që nga Byroja Politike ishte larguar dhe intelektuali tjetër Sejfulla Malëshova, gjë për të cilën Spiru kontribuoi, ky i fundit befas u shkund dhe e kuptoi se nëse largohej edhe Hoxha, intelektuali i vetëm në Byronë Politike do të mbetej ai, Spiru, që do të bëhej shënjestra e radhës. I gjendur në konflikt me Xoxen, Spiru u afrua me Hoxhën. Ky i fundit, në Plenumin VIII të Komitetit Qendror, në 1948, do të thoshte:
Nakoja përpiqej të gjente mbështetje te Koçi, po kur te Koçi dështoi, ai filloi të vijë tek unë. Ai hynte e dilte në shtëpinë time për drekë dhe për darkë muaj me rradhë.[xliv]
Koha e saktë se kur Spiru ndahet nga Xoxe dhe fillon afrohet me Hoxhën na jepet nga Xoxe në letrën që u çon nga burgu, në prill 1949, Hoxhës dhe ambasadorit sovjetik Çuvahin, ku shkruan:
Unë punën që kam bërë gjatë 1945 dhe deri nga mars-maji (1946- Shënimi im: K.M.), që Nakoja shkëputet nga unë, kam punuar shumë për çështje të Partisë, të mbrojtjes, të personelit dhe të organizimit të ushtrisë.[xlv]
Në këtë fjali të partikuluar qartë, zbulohet megjithatë qartë se kur ndodhi çarja e Spirut me Xoxes dhe për pasojë afrimi i Spirut me Hoxhën. Xoxe u përpoq që ta pengonte aleancën e Hoxhës me Spirun. Edhe Xoxe i ofroi Hoxhës aleancë për të eliminuar Spirun. Kjo kuptohet kur Hoxha shkruan në kujtimet e veta:
Grindjet e Nakos e të Koçit në mes tyre, e thyen izolimin që më kishin vendosur pas Beratit dhe filluan të vijnë tek unë «të qahen», të ekspozojnë gjendjen, të kërkojnë ndërhyrjen time».[xlvi]
Kjo ishte situata që priste Hoxha. Loja politike ishte zhbllokuar përsëri dhe ai përsëri kishte karta në dorë për të luajtur në këtë lojë, në mënyrë që ta ndryshonte balancën e fuqisë në Byronë Politike në favor të vetes. Hoxha nuk do të ishte Hoxha në rast se do të kishte pranuar ofertën e Xoxes për të bashkuar forcat kundër Spirut. Hoxha e kishte të qartë se me eliminimin e Spirut, ai do të mbetej i vetëm përballë bllokut të kundërshtarëve të tij, të kryesuar nga Xoxe i fuqizuar edhe më tepër se ç’ ishte tashmë. Vakuumi i pushtetit që do të krijohej nga largimi i Spirut, do të mbushej nga Xoxe me njerëz të këtij të fundit, për shkak se Xoxe duke kontrolluar sektorin e kuadrit në Komitetin Qendror, kontrollonte emërimet në të gjithë piramidën e regjimit.
Prandaj Hoxha zgjodhi që të mbështeste Spirun. Si shenjë e miqësisë së rilindur Hoxha, në përgjigje të ankesave të përsëritura të Spirut se organizata e rinisë kishte nevojë për një ndërtesë të madhe dhe të denjë për seli, e largoi Komandën e Përgjithshme nga ndërtesa masive dhe impozante në krye të bulevardit të madh ku është sot korpusi qendror i universitetit publik të Tiranës dhe ia dha këtë ndërtesë organizatës së rinisë. Simbolika e së kaluarës së ndërtesës, aq sa edhe pamja e saj, qenë sinjifikuese për rolin e ri që i jepnin organizatës së rinisë në planet e tyre Spiru edhe Hoxha. Ndërtesa ishte ngritur në kohën e pushtimit italian për të qenë selia e Partisë Fashiste, e cila ishte konceptuar si organizatë politike dhe ushtarake, e llojit të milicisë. Spiru e shikonte organizatën e rinisë si partinë e vet personale, e cila duhet të shtinte në dorë burokracinë e regjimit, dhe si gardën e vet personale, si pretorianët e vet. Hoxhës tash që ishte aleat i Spirut, i konvenonte kjo gjë, prandaj e mbështeste këtë të fundit në realizimin e këtyre ambicjeve, për të kundërbalancuar fuqinë e Xoxes. Hoxha po punonte për të krijuar një klikë të re, përballë asaj të Xoxes. Hoxha në autokritikën që bëri në Plenumin VIII, në mars 1948, do ta rrëfente kështu atë që ndodhi pas aleancës së tij me Spirun, në pranverën e vitit 1946:
Disa shokë e nuhatën se Nako Spiru nuk po ecte, disa nuk e panë, në radhë të parë unë. Ai u mbështet tek unë, në Rininë dhe arriti në shumë rezultate të rrezikshme për Partinë tonë; të mos ekzistonte një besim dhe unitet midis dy sekretarëve të Byrosë, të krijonte në Byro tre kampe: nga njëra anë Koçi e Pandi, nga ana tjetër ai e unë dhe në një anë disa shokë anëtarë të Byrosë indiferentë. E dyta, të vinte në vendet- kyç njerëz të influencës së tij, jo të klasës, borgjezë, jo të sigurt dhe të godiste Partinë. Puna e Nakos ishte një intrigë, kurdisej për një shkatërrim.[xlvii]
Xoxe, pas prishjes me Spirun, kishte humbur kontrollin në Byronë Politike prej gjashtë vetash. Sa kohë Xoxe dhe Spiru qenë aleatë, Xoxe qe në gjendje që të tërhiqte pas vetes edhe dy të lëkundurit në Byronë Politike, si dhe miratimin pa dëshirë të Hoxhës, duke arritur kështu kontrollin e saj. Tashmë kur klika e Xoxes u ça, ai nuk mund të llogariste më mbështetjen e të lëkundurve, Jakova dhe Spahiu, të cilët shikonin se Xoxe nuk kontrollonte më as klikën e vet. Në fakt, Spahiu dhe Jakova nuk qenë indiferentë, por qenë nën efektin e shantazhit të Xoxes. Spahiu kishte qenë anëtar i Partisë Fashiste, çka do t’ i përmendej më vonë kur të eliminohej, dhe Xoxe, i cili tashmë kishte në dorë arkivat e së shkuarës, si kryekuadrovik i regjimit, e kishte bërë dosjen e plotë të Spahiut mbi këtë çështje. Paraqitja e asaj dosjeje do të mjaftonte që Spahiu më së paku të përjashtohej nga partia, duke i humbur të gjitha postet. Edhe Jakova kishte pika të errëta në të shkuarën e tij me policinë sekrete të Zogut, të cilat sigurisht që Xoxe i kishte evidentuar dhe kishte përgatitur dosjen. Natyrisht që Xoxe nuk i përdorte dot këto dosje për t’ i eliminuar ata, pa lejen e jugosllavëve, dhe Spahiu e Jakova e dinin këtë gjë. Por ai mund t’ i përdorte dhe sigurisht i përdorte ato për t’ i detyruar ata që të votonin në një linjë me të në Byronë Politike. Jakova dhe Spahiu e ndjenin veten pengje të Xoxes. Sigurisht që ata prisnin rastin që të çliroheshin nga kjo zgjedhë se e dinin se Xoxe do t’ i eliminonte pasi t’ i përdorte. Prandaj krijimi i klikës së re Hoxha-Spiru në Byronë Politike u mirëprit prej tyre, se e shikonin atë si një mbështetje për të përballuar shantazhin e Xoxes. Xoxe nuk ishte në pozitë të mirë për të bërë shantazh kur kishte humbur kontrollin e klikës së tij të Beratit. Jakova dhe Spahiu mund ta përballonin shantazhin e Xoxes vetëm me mbrojtjen e Byrosë Politike, prandaj ata do të prireshin të votonin pro dyshes Hoxha-Spiru, duke i siguruar asaj kontrollin e Byrosë Politike prej gjashtë vetash. Falë kësaj Hoxha dhe Spiru morën revanshin ndaj Xoxes, duke hyrë edhe në domenin e tij të emërimit të kuadrove, dhe duke imponuar emërimin e njerëzve të tyre në pozita të larta, siç thotë Hoxha në paragrafin e cituar më lart. Spahiu, do të bënte këtë dialog me Hoxhën në Plenumin VIII:
Bedri Spahiu: Më ka bërë përshtypje një herë një skenë midis komandantit dhe Koçit, ku diskutohej se kush ta merrte Agjitpropin: Jo ta marr unë, jo ta marrësh ti!
Komandanti(E.H.): Nuk më duket që të ketë qenë ndonjë skenë e madhe ajo e Agjitpropit.
Bedriu: Mua më ka bërë përshtypje kur bisedohej në një mënyrë të tillë, kush ta marrë unë apo ti.[xlviii]
Spahiu na zbulon kështu thelbin e çështjes, se zyrat ndaheshin mes Hoxhës dhe Xoxes si plaçkë e kapur nga piratët.
Spiru, i cili kishte bërë të mundur përmbysjen e balancës së forcave në Byronë Politike, filloi të perceptohet si problemi më i madh nga Xoxe. Por Spiru filloi të perceptohet si një problem edhe prej jugosllavëve, të cilët nuk i pëlqenin aleancat e krijuara jashtë vullnetit të tyre në udhëheqjen shqiptare. Aq më tepër kur kishte shenja se Spiru e nxiste Hoxhën që të afrohej me sovjetikët dhe të kërkonte ndihmën e tyre për të kundërbalancuar mbështetjen që kishte Xoxe nga jugosllavët. Spiru, duke shkuar në ish-zyrën e Hoxhës, në ish-selinë e Fashios, e çoi kokën tek «tehu» i sopatës virtuale, e cila në atë kohë realisht qëndronte në dorën e jugosllavëve.
Hoxha, ashtu si dhe Spiru, ishte shumë i shqetësuar për vizitën që do të bënte Xoxe në Moskë, në maj, kohë kur në Moskë do të ishte për vizitë edhe Tito. Prandaj, Hoxha, duket edhe nën nxitjen e Spirut, vendosi të bëjë për herë të parë një takim tete a tete me ministrin sovjetik në Tiranë, Çuvahin. Deri atëherë Hoxha takohej me ministrin sovjetik, duke qenë edhe Xoxe i pranishëm. Hoxha në autokritikën që bëri në mbledhjen e Byrosë Politike të 24 dhjetorit 1947, pas vdekjes së Spirut, do të thoshte për këtë gjë:
Pse nuk u thellova për qëllimin e Nakos kundër Partisë? Këtu kuptohet, influencimi im nga Nakoja… Unë nuk bisedova me Koçin dhe Pandin por bisedova me Çuvahinin.[xlix]
Biseda në fjalë me ministrin sovjetik është bërë në maj 1946, çka del nga raporti që ministri sovjetik Çuvahin i bën Moskës në datën 20 maj 1946, për këtë bisedë. Hoxha nuk zgjodhi rastësisht këtë moment për të biseduar për herë të parë me ministrin sovjetik problemet e brendshme politike të regjimit. Pikërisht në maj 1946 Tito kishte shkuar të vizitonte Bashkimin Sovjetik dhe Hoxha qe i shqetësuar për atë se çfarë do të thoshin jugosllavët për të në Moskë. Gjithashtu Hoxha i shpreh ministrit sovjetik edhe shqetësimin për vizitën e Xoxes në Bashkimin Sovjetik. Çuvahin i raporton Moskës se:
Enver Hoxha theksoi se dyshon në volinë e vizitës së Koçi Xoxes në Moskë, meqënëse druhet se ky nuk është krejtësisht i përgatitur KQ PKP (b) një tablo të plotë se si qëndrojnë punët tani në Shqipërinë dhe në Partinë Komuniste të Shqipërisë si dhe për të përcaktuar detyrat e saj imediate.[l]
Hoxha ishte i shqetësuar se mendonte që vizita e Xoxes në Moskë ishte sponsoruar nga jugosllavët, të cilët donin ta paraqisnin atë si njeriun që në kongresin e ardhshëm të PKSH do të bëhej sekretar i përgjithshëm i partisë, dhe me këtë edhe kryeministër, duke zëvendësuar Hoxhën. Ky i fundit mendonte se Xoxe do të thoshte për të në Moskë të gjitha të këqijat që mund t’ i vinin në mendje dhe Hoxha e dinte se çfarë kishte në mendjen e Xoxes për të. Çuvahin i raporton Moskës se fjalët e Hoxhë me të cilat ai i kishte shprehur tërthorazi dëshirën për të vizituar Bashkimin Sovjetik:
Enver Hoxha deklaroi se e presim me shumë emocion atë ditë kur do të ftohemi në Moskë, për ku do të nisemi me një «këmishë të pastër» krejtësisht.[li]
Hoxha, në pamundësi për të shkuar në Moskë, vendosi t’ i shprehë ministrit sovjetik versionin e vet për çështjet që mendonte se do të shtronte atje Xoxe. Në raportin e vet ministri sovjetik sjell ankesat e Hoxhës ndaj Xoxes:
në ditët tona në parti po lulëzon dualizmi: partia vepron dhe punon më vete, kurse qeveria më vete.[lii]
Këtu Hoxha i zbulon hapur letrat e tij. Ministri sovjetik e kuptonte fare mirë atë që donte Hoxha. Ai kërkonte të bëhej një diktator në një regjim që ende ishte një diktaturë pa diktator. Hoxha e kuptonte fundin e dualizmit në pushtet si përqëndrim i të gjitha pushteteve në dorën e tij. Stalini ishte bërë plotësisht një diktator kur ishte vënë dhe në krye të qeverisë përveçse në krye të partisë, duke arritur që të kontrollojë të dy qendrat e pushtetit të regjimit, partinë dhe qeverinë. Hoxha kontrollonte në dukje qeverinë, por duke pasur në postin e ministrit të Punëve të Brendshme, sekretarin e Komitetit Qendror për kuadrot, Hoxha nuk kontrollonte as këtë sektor të rëndësishëm të qeverisë. Hoxha kishte humbur kontrollin mbi partinë, së pari për faktin se nuk ishte sekretar i përgjithshëm. Hoxha nuk heziton që para ministrit sovjetik të drejtojë gishtin tek Xoxe si përgjegjës për këtë dualizëm, dhe të marrë në mbrojtje Spirun, që i kundërvihej Xoxes:
Ky dualizëm vihet re, gjithashtu në punën e KQ të partisë dhe të KQ të rinisë. Një gjendje e tillë,- vazhdoi Enver Hoxha,- është e mbarsur me pasoja serioze. Ajo që tani po i jep frytet e veta sidomos në marrëdhëniet e Komisionit të Kuadrove të KQ me udhëheqjen e KQ të rinisë. Këtu Hoxha foli për meritat e rinisë shqiptare, për meritat e KQ të rinisë që në shumë çështje e kanë lënë prapa udhëheqjen e KQ të partisë. Megjithatë, nisma dhe shtrimi nga ana e punonjësve të KQ të rinisë (Liri Belishovës dhe Fadil Paçramit) i një sërë çështjesh të ngutshme po ngjall një qëndrim të ashpër opozitar nga ana e punonjësve të Komisionit të Kuadrove dhe të anëtarëve të veçantë të Byrosë Politike.[liii]
Nga biseda e mësipërme kuptohet se tashmë, Spiru, edhe me mbështetjen e Hoxhës, kishte lëshuar një msymje në gjithë hapësirën burokratike të regjimit, për të vendosur në poste të rëndësishme pretorianët e vet të organizatës së rinisë, gjë që kundërshtohej nga Xoxe. Në fjalët që Hoxha i thotë ministrit sovjetik ndjehet shqetësimi i tij se dita e betejës mes tij dhe Xoxes po afrohej, gjë të cilën ai kërkonte ta shtynte sa më tepër. Obsesioni i Hoxhës mbetej përdorimi i plenumit të Beratit kundër tij. Çuvahin i raporton Moskës për bisedën me Hoxhën:
ai nënvizoi se tani po vihen re ca përpjekje për t’ iu referuar Konferencës së Beratit (Plenumit-K.M.), për t’ i shfrytëzuar kundër tij (Enver Hoxhës-K.M.) vendimet e padrejta të asaj konference, përderisa vetëm ai ka mbetur nga udhëheqësit që përgjigjeshin në atë kohë për veprimtarinë e Partisë Komuniste.[liv]
Biseda e Hoxhës me ministrin sovjetik ishte një veprim në stilin e Tarasit-Herman, për të parë nëse kishte një kartë sovjetike në lojë, dhe për ta shtënë në dorë atë nëse kishte mundësi. Hoxha mendonte se në kongresin e ardhshëm të partisë karta jugosllave nuk do të ishte në dorën e tij, por në atë të Xoxes, ndaj ai donte të siguronte një kartë sovjetike. Ministri sovjetik e imterpretoi saktë sjelljen e Hoxhës, kur e komentoi kështu motivin që pati Hoxha për të biseduar me të për këto çështje:
Ndihet se Enver Hoxha trembet se në kongresin e ardhshëm të partisë Koçi Xoxe do të mundohet të përgatisë kundër tij një diskutim përkatës, duke shfrytëzuar me këtë rast vendimet e Konferencës së Beratit dhe, kësisoj, t’ i forcojë edhe më shumë pozitat e veta në parti. Nuk ka dyshim që Enver Hoxha që para kongresit të partisë kërkon të sigurojë përkrahjen tonë.[lv]
Moska, marrëdhëniet e së cilës me Beogradin në atë kohë kishin filluar të komplikoheshin për shkak të kërkesave të ekzagjeruara jugosllave për mbështetje sovjetike për rivendikimet territoriale të Jugosllavisë ndaj fqinjëve dhe për shkak të kerkesave të mëdha për ndihmë ekonomike dhe ushtarake sovjetike, mendoi se derisa u kishte ardhur në dorë karta me figurën e Hoxhës, ta luante paksa atë në lojën me Titon. Sovjetikët e inkurajuan Hoxhën që të vepronte, çka duket qartë se dy javë pas takimit tete a tete me ministrin sovjetik, Hoxha paraqiti në Byronë Politike propozimin për rishikimin e Plenumit të Beratit, çka ishte një sfidë e Hoxhës ndaj jugosllavëve. Plenumi i Beratit ishte «Shpata e Damoclesit» që qëndronte varur mbi kokën e Hoxhës, gati për t’ u përdorur nga Xoxe në kongresin e ardhshëm të partisë. Hoxha i kërkoi Spirut që ta mbështeste për rishikimin e plenumit të Beratit, si quid pro quo për ndihmën që ai po i jepte. Hoxha do të thoshte për këtë çështje në autokritikën e vet në Plenumin VIII të Komitetit Qendror, në 1948:
Te unë u zhvilluan rezervat në lidhje me Beratin. Kur u godit Sejfullai kjo më bëri të mendoj pse nuk shkonte mirë uniteti në Parti. Në situatën e nderë Sejfullai u përpoq të fuste vijën e tij oportuniste. Unë mendoja se Berati u kishte çelur rrugën të gjitha këtyre ndodhive, prandaj nuk kishte unitet, d.m.th. Koçi dhe unë. Unë i propozova Nakos për revizionimin e Beratit. Ai tha «po». Berati nuk ishte në disfavor të Nakos, pse ai kishte bagazhe, por ai e pranoi revizionimin, pse e dinte se do të shkonte në favorin e tij. Unë e shihja se Koçi dhe Pandi ishin në kundërshtim të pikëpamjeve të mia dhe mendoja se si do të stabilizohej uniteti dhe prapë zgjodha rrugën më të keqe, atë që përgatiti Nakoja.[lvi]
Spiru e pranoi kërkesën e Hoxhës, për shkak se tashmë edhe Spirut i interesonte revizionimi i plenumit të Beratit, pasi Hoxha ishte aleat i tij. Këtu duhet shënuar se më lart Hoxha pohoi se praktika e punës në Byronë politike ishte ajo e krijimit të klikave, si prej Xoxes, ashtu dhe prej atij vetë. Inkurajimi që sovjetikët i bënë Hoxhës që të incionte rishikimin e vendimeve të plenumit të Beratit, do të bënte që Hoxhës t’ i krijohej iluzioni sikur ai kishte mbështetjen sovjetike në lojën e tij me jugosllavët, gjë që nuk ishte e vërtetë. Stalini donte vetëm që t’ i jepte të kuptonte Titos se edhe për për të hequr nga pushteti Hoxhën duhet të kërkonte leje në Moskë.
Hoxha, duke pasur edhe mbështetjen e Spirut, i zbuloi letrat mbi tavolinë dhe në 9 qershor 1946 paraqiti në Byronë Politike tezat për rishikimin e Plenumit të Beratit. Me instinktin e vet prej Tarasi-Herman Hoxha gjeti kohën më të përshtatshme për ta luajtur kartën e rishikimit të Plenumit të Beratit. Jo rastësisht ai e bëri këtë gjë në prag të vizitës së tij në Beograd, ku do të nënshkruante traktatin e miqësisë dhe ndihmës reciproke me Jugosllavinë. Hoxha e dinte mirë se jugosllavët donin që ta traktatin ta firmonte ai, prandaj ata do të detyroheshin që t’ i bënin koncension. Hoxha e dinte se Plenumin e Beratit mund ta rishikonte vetëm një plenum tjetër i Komitetit Qendror. Jugosllavët nuk e donin këtë dhe në fakt as Hoxha nuk shpresonte kaq shumë. Ajo që donte Hoxha ishte një marrëveshje e arritur në Byronë Politike për të fuqizuar pozitën e tij. Ai donte të fitonte siguri, qoftë edhe përkohësisht.
Nga tezat që paraqiti Hoxha në Byronë Politike për rishikimin e plenumit të Beratit dilte si konkluzion logjik se fryma e Plenumit të Beratit kishte sjellë spostimin e atij, Hoxhës nga ana e Xoxes, si dhe daljen e këtij të fundit në pozitën e udhëheqësit suprem të vendit. Hoxha tha:
Plenumi i Beratit s’ ishte një mbledhje e rregullt për arsyet e mëposhtme: përgatitja e punimeve të plenumit në Byro nuk ishte objective as edhe si duhej komuniste. Çështjet në Byro nuk u shtruan në formë shoqërore dhe komuniste, por në formë të prerë dhe të vendosur jashtë Byrosë, pra jo pas një analize të thellë marksiste, që mund të bëhesh prej vetë Byrosë, pa pasione dhe pa paragjykime. Çështjet u shtruan brutalisht dhe në një formë «coup d’ etat» që nuk e lejonin as rrethanat, as konditat, as metodat e Partisë sonë”.[lvii]
Nga njerëzit që kishin bërë këtë konspiracion në Berat tashmë në Byronë Politike kishin mbetur vetëm Xoxe dhe Spiru. Kështu, Hoxha po akuzonte praktikisht Xoxen dhe, ironikisht, edhe aleatin e vet të tanishëm, Spirun se kishin bërë një konspiracion ndaj udhëheqjes së partisë, një puç që nuk ishte finalizuar. Në vazhdim të fjalimit, Hoxha tha për pozitën e vet pas plenumit të Beratit, deri në ditën në të cilën po fliste:
Përsa më përket mua që isha, sipas konkluzioneve të Plenumit të Beratit, «njeriu që kish gabuar më shumë» qëndrova përsëri jo vetëm në Byro dhe në Komitetin Qendror, por dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë. Kjo ishte një anomali dhe për mua si person dhe si udhëheqës i Partisë, një pozitë false, një pozitë formale. Pas Beratit, pra Partia s’ kishte sekretar politik real dhe udhëheqja e Partisë, dua të them e Byrosë, me përjashtim të Nakos dhe të Koçit, ishte e re.[lviii]
Hoxha këtu një herë e quan veten «Sekretar i përgjithshëm» dhe një herë sekretar politik». Në fakt e dyta është e saktë, ai ishte thjesht njëri nga sekretarët. Xoxe, i cili ende nuk kishte marrë viston nga jugosllavët për ta eliminuar Hoxhën, u befasua nga ky gjest prej Tarasi-Herman, çka ishte hapja e kartave mbi tavolinë. Xoxe i kundërshtoi tezat e Hoxhës pa dashur t’ u hynte në thelb çështjes së plenumit të Beratit, që shtronte ai për diskutim. Xoxe, në letrën që i çon në 23 shkurt 1949 Komisionit të Posaçëm Hetimor nga burgu, thotë për mbledhjen e Byrosë Politike të qershorit 1946, ku u diskutuan tezat e Hoxhës për rishikimin e plenumit të Beratit:
U bisedua çështja që shtronte shoku Enver se është spostuar puna dhe unë këtë nuku e kam pranuar duke e motivuar, ashtu siç e shpreha më lart, s’ kam pranuar pasivitetin e Sekretarit të Përgjithshëm si rezultat të Beratit, por si pasivitet që vetë ai kishte rënë, mbasi thashë se mbi këtë unë i kisha folur disa herë më 1945 dhe 1946.[lix]
Hoxha pra, u shpreh hapur se pushteti ishte zhvenduar nga kryeministria dhe zyra e sekretarit politik të Komitetit Qendror në zyrën e Sekretarit të Komitetit Qendror për kuadrin, ku Xoxe përdorte tagrin që kishte për të kontrolluar të gjitha emërimet e kuadrove në piramidën partiako-shtetërore për të marrë nën kontroll efektiv edhe qeverinë, administratën, ushtrinë, pa folur për Sigurimin e Shtetit që Xoxe e kontrollonte drejtpërdrejt si ministër i Punëve të Brendshme. Përgjigjia e Xoxes ka nuanca shantazhi. Xoxe, duke i thënë Hoxhës që shkakun e asaj që ka ndodhur ta kërkojë tek vetja, pra të kërkojë shkakun e pasivitetit të vet, i bën aluzion për ngarkesat që ai ka nga e shkuara, duke aluduar për bashkëpunimin e tij me policinë sekrete të Zogut dhe atë fashiste.
Jugosllavët e dinin se Hoxha nuk do të guxonte kurrë të ndërmerrte rishikimin e plenumit të Beratit, pa inkurajimin e sovjetikëve. Takimi tete a tete i Hoxhës me ministrin sovjetik, i cili nuk mund t’ i ikte vëmendjes së tyre, u krijoi atyre bindjen se Hoxha tashmë po luante kartën sovjetike. Por jugosllavët nuk mund ta qortonin hapur Hoxhën për këtë, se ai sigurisht që do t’ u tregonte sovjetikëve. Kështu Stalini do të gjente rastin të fajësonte Titon për mosbesim ndaj udhëheqjes sovjetike.
Një nga arritjet e para të aleancës së Hoxhës me Spirun, me mbështetjen e sovjetikëve, ishte shkarkimi në qershor 1946 i Spiro Moisiut nga posti i shefit të Shtatmadhorisë (Shtabit të Përgjithshëm) dhe zëvendësimi i tij me Mehmet Shehun, i cili ishte afruar me Hoxhën dhe Spirun, duke qenë i pakënaqur me Xoxen i cili frenonte karrierën e tij. Shehu ishte në marrëdhënie të këqija me Xoxen. Xoxe në mbledhjen e Byrosë Politike, në 1 janar 1948 për Shehun:
Kur ishte në Moskë dhe nuk merrte letra nga Fiqreti, thoshte se e kanë arrestuar.[lx]
Një nga shkaqet e shkarkimit të Mosiut ishte se në këtë kohë ishte duke filluar lufta civile në Greqi, ku Shqipëria do të ishte e implikuar nën influencën e jugosllavëve, duke u shndërruar në bazë të guerriljes komuniste greke. Spiro Moisiu nuk ishte më i besueshëm se kishte dezertuar në favor të grekëve, gjatë Luftës Italo-Greke, dhe dyshohej se mund të ishte njeriu i tyre. Shehu ishte një njeri që pëlqehej nga sovjetikët (ai erdhi në detyrën e re nga Bashkimi Sovjetik ku kishte shkuar për studime ushtarake), por ai kishte patur lidhje të vjetra edhe me jugosllavët, që nga koha kur kishte Dushan Mugoshën në Brigadën I. Xoxes nuk i pëlqente emërimi i Shehut, se e shihte si njeri të Hoxhës dhe të Spirut, por nuk kishte cfarë të bënte, derisa kishte humbur kontrollin mbi Byronë Politike. Në 24 dhjetor 1947 në një mbledhje të Byrosë Politike, Hoxha do të shprehej për emërimin e Shehut në qershor 1946:
Për Mehmetin. Mehmetin e thirrëm në Shtatmadhori, morëm parasysh qëndrimin e tij në Bashkimin Sovjetik dhe rekomandimet për të. I dinim të metat e tij. Ne mendonim që kur e sollëm në ushtri, pse komanda me Bedriun nuk shkonte mirë. Gjithë shokët kemi qenë dakord për t’ i dhënë Mehmetit Shtatmadhorinë. Sokolovi (atasheu ushtarak sovjetik në Shqipëri-K. M.) dhe Çuvakini na e lëvdonin shumë.[lxi]
Ky ishte rasti i parë kur ministri sovjetik në Tiranë influenconte në emërimin e një funksionari të lartë të regjimit. Për Xoxen emri i Shehut ishte megjithatë një zgjedhje tepër sfiduese nga ana e Hoxhës dhe Spirut. Shehu ishte një njeri me shumë autoritet nga koha e luftës dhe mjaft aktiv, i aftë ta shndrronte ushtrinë në një gardë pretoriane të Hoxhës dhe Spirut. Fakti që Hoxha mbante si shef të rojeve personale një njeri të ofruar nga Shehu, me origjinë nga krahina e këtij të fundit, madje edhe vëllai i Shehut ishte një nga rojet personale të Hoxhës, ishte domethënës për Xoxen. Gruaja e Shehut, Fiqreti ishte krahu i djathtë i Spirut, kuadrovikja e tij. Në platformën e paraqitur për diskutim nga Byroja Politike në Plenumin VIII, në shkurt 1948, ku u dënua veprimtaria e Spirut, do të thuhej për gruan e Shehut:
Politika e kuadrit, thoshte Nako Spiru, nuk bëhet me ata njerëz që dinë ato gjëra që kanë mësuar sot e dy vjet (këtu bënte aluzion për shokët punëtorë që punonin me kuadrin)... me qëllim që të godiste shokët që punonin në kuadër, si Gogoja dhe Bajrami, më vonë dhe në rradhë të parë shokun Koçi. Këtë e bënte për të përgatitur terrenin që të fute edhe në kuadër njerëzit e tij. Kur s’ ia arriu dot këtij qëllimi, u përpoq dhe ngriti në Këshillin Ekonomik një aparat kuadri, ku ishte përgjegjëse Fiqret Shehu dhe me anën e këtij aparati synonte që të futë nën kontrollin e tij gjithë politikën e kuadrit të shtetit.[lxii]
Një tjetër veprim i Hoxhës në atë kohë, tregon rritjen e kurajos së tij. Ai emëroi drejtor të spitalit të Tiranës kushëririn e vet, Fejzi Hoxhën, i cili kishte mbaruar studimet për mjekësi ushtarake në Itali dhe që ishte specializuar në Itali, në kohën e pushtimit fashist, pranë mjekut personal të Musolinit, profesor Gurgonit. Kur Hoxha erdhi në pushtet, nuk guxoi ta mbante Fejzi Hoxhën në Tiranë, por e çoi me punë në Shkodër. Tashmë, sjellja e Fejzi Hoxhës në Tiranë, në një post të tillë, në një kohë që mjekë të tjerë të talentuar qenë në burg, ishte një shenjë se Hoxha kishte filluar të mos kishte më aq frikë nga Xoxe. Duket se Hoxha kishte nevojë për ta pasur Fejzi Hoxhën pranë, për shkak se ai shëndeti i tij nuk ishte dhe aq i mirë. Në komunikatën e vdekjes së Hoxhës, në 1985, do të thuhej se atij i kishte filluar diabeti në 1948, por duket se ai i ka filluar që më parë. Fejzi Hoxha do të bëhej mjeku personal i Hoxhës.
Hoxha pretendon në kujtimet e veta, se pikërisht në kohën që në Byronë Politike filloi diskutimi për rishikimin e plenumit të Beratit, ndërhynë jugosllavët, duke e ftuar Hoxhën në Beograd, duke përmbushur më në fund dëshirën dhe kërkesën e tij për të vizituar Jugosllavinë:
E pikërisht kur kishim nisur të diskutonim në Byro «Tezat për rishikimin e Plenumit të 2-të të KQ të PKSH» na erdhi lajmi se rruga për në Beograd ishte e hapur.[lxiii]
Hoxha këtu thotë një gënjeshtër kolosale. Vizita në Beograd tashmë ishte planifikuar, çka ne e dimë nga biseda e Titos me Stalinin, në maj, në Moskë. Jugosllavët sigurisht që e ndiqnin me vëmendje luftën që kishte filluar në Byronë Politike të PKSH mes Xoxes dhe Spirut, dhe që ishte shndërruar në luftë mes dy kampeve të regjimit, atij të Hoxhës dhe atij të Xoxes. Jugosllavët në atë kohë kishin si qëllim kryesor që midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë të konkludoheshin dhe firmoheshin disa marrëveshje me të cilat ata donin të formalizonin pozitën e tyre ndaj Shqipërisë dhe të siguronin bazën për aneksimin e Shqipërisë. Njerëzit që duhet t’ i nënshkruanin këto marrëveshje, për shkak të pozitave që mbanin, qenë Hoxha dhe Spiru. Sigurisht që mund t’ i nënshkruanin dhe të tjerë, që do t’ i zëvendësonin ata, por për jugosllavët kjo qe e papëlqyeshme, se do të dukej sikur ata ia kishin imponuar Tiranës këto marrëveshje. Prandaj jugosllavët e lanë të ecte luftën për pushtet që kishte filluar në krye të regjimit në Tiranë, duke iu shfaqur palëve në të si arbitri në mes tyre.
4.
Marrëveshja Stalin-Tito për Shqipërinë, déjà vu e paktit sovjeto-nazist
Karl Marx në librin e vet «18 brymeri i Lui Napoleonit» shkruan:
Hegeli thotë diku se të gjitha ngjarjet dhe personalitetet e mëdha të historisë botërore shfaqen, si të thuash, dy herë. Ai ka harruar të shtojë: herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë.[lxiv]
Në maj 1946 midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë u përsërit në formë farse pakti sovjeto-gjerman i vitit 1939, ku preja, fati i së cilës luhej, ishte Shqipëria. Stalini e priti delegacionin jugosllav të kryesuar nga Tito, në 27 maj, në Kremlin, në orën 23 ºº, sipas orarit nokturn stalinian. Takimi do të vazhdonte deri në orën 3 të mëngjesit. Sipas procesverbalit sovjetik të bisedës u shkëmbyen këto fjalë mes Stalinit dhe Titos:
Lidhur me Shqipërinë shoku Stalin vërejti se situata e brendshme politike në Shqipëri është e paqartë. Sipas disa raporteve situata e brendshme politike në Shqipëri është e paqartë. Kishte të dhëna se diçka po ndodhte mes Byrosë Politike nga njëra anë dhe Hoxhës nga ana tjetër. Xoxe kërkon të vijë në Moskë për të diskutuar disa çështje para kongresit të partisë. Enver Hoxha gjithashtu ka shprehur dëshirën të vijë në Moskë bashkë me Xoxen.
Shoku Stalin pyeti Titon nëse ai di diçka për situatën në Partinë Komuniste të Shqipërisë.
Tito, duke u shfaqur i befasuar me këto pyetje, u përgjigj se vizita e Enver Hoxhës në Beograd ka qenë propozuar për të ardhmen e afërt. Kjo ishte arsyeja pse Tito besonte që përgjigjia për shqiptarët duhet të ishte se vizita e propozuar e Koçi Xoxes dhe Hoxhës në Moskë do të shqyrtohej pas vizitës së Hoxhës në Beograd .
Shoku Molotov vërejti se ne po provojmë të prapësojmë përpjekjet e shqiptarëve për të ardhur në Moskë, por shqiptarët qenë të vendosur për këtë!
Shoku Stalin vërejti se vizita e shqiptarëve në Moskë mund të shkaktonte një reagim të pafavorshëm nga Anglia e SHBA dhe kjo do të përkeqësonte më tepër situatën e politikës së jashtme të Shqipërisë.[lxv]
Tito u befasua nga interesimi i befasishëm i Stalinit për Shqipërinë. Tito, i cili kishte jetuar në Bashkimin Sovjetik, dhe kishte punuar në zyrat e Kominternit, e rroku domethënëien e fjalëve të Stalinit. Stalini po i jepte të kuptonte atij se këtej e tutje Jugosllavia nuk mund ta shikonte më Shqipërinë si oborrin e saj, por për gjithçka që bënte atje duhet të informonte Moskën. Me këtë Stalini nuk kishte qëllim të mbronte interesat e Shqipërisë, por thjesht t’ u jepte të kuptonin jugosllavëve se Shqipërinë nuk duhet ta shikonin si një trofe lufte, të siguruar me anë të udhëheqësve shqiptarë-kolaboracionistë të tyre, por si një gjë që duhet ta kërkonin në Moskë. Stalini, me ironinë e vet të njohur, e pyeti Titon nëse dinte diçka për konfliktin mes Hoxhës dhe Xoxes, kur ishte e qartë se pas problemeve që kishin mes tyre dy udhëheqësit shqiptarë qëndronin jugosllavët dhe këtë Stalini e dinte mirë nga njerëzit e vet në Shqipëri.
Stalini e dinte se, pas kërkesës së Xoxes për të vizituar Moskën qëndronin jugosllavët, prandaj ai i tha Titos se edhe Hoxha kishte kërkuar të vinte në Moskë bashkë me Xoxen. Tito e kuptonte mirë se ç’ donte të thoshte Stalini me këtë. Stalini do t’ i pyeste dy udhëheqësit shqiptarë për problemet që kishin mes tyre, duke u vënë kështu në pozicionin e arbitrit me ta, gjë që jugosllavëve nuk u pëlqente. Kur pas këtij tour d’ horizon të Stalinit për marrëdhëniet sovjeto-shqiptare, ky e pyeti Titon mefistofelikisht se çka dinte për problemet në udhëheqjen shqiptare, ky i fundit e kuptoi se kurthin drejt të cilit po e shtynte Stalini, por nuk i shmangej dot. Tito u detyrua t’ i kërkonte Stalinit që t’ i kërkonte Stalinit që vizita e udhëheqësve shqiptarë në Moskë të shtyhej pas asaj që Hoxha do të bënte në Beograd . Molotov, i mësuar të mbështeste Stalinin në këto lloj lojrash, fill pas fjalëve të mësipërme të Titos ndërhyri për t’ i thënë këtij të fundit se për sovjetikët qe një problem i madh që të përballonin presionin e shqiptarëve për të vizituar Bashkimin Sovjetik. Kështu, supozohej që sovjetikët po i bënin Titos një koncesion të madh. Gjithsesi, me këtë Stalini arriti që të stabilizonte një normë të re në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave, ashtu që jugosllavët duhet të kërkonin leje në Moskë për veprimet e tyre në Shqipëri. Dhe pasi Tito u detyrua të kërkonte që shqiptarët të mos vizitonin Moskën para Beogradit, Stalini ne cinizmin e tij i tregoi Titos se ai kishte luajtur bluff-in me të në këtë çështje, duke thënë se për Moskën vizita e shqiptarëve ishte jokonvenuese në raport me Perëndimin. Se Stalini sigurisht që nuk shqetësohej për pasojat që do të kishte për Shqipërinë vizita e udhëheqësve shqiptarë në Moskë, por për pasojat që do të kishte për Bashkimin Sovjetik, në raport me Perëndimin. Stalini druhej se Perëndimi do ta perceptonte vizitën e shqiptarëve në Moskë, kaq shpejt pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, si hyrje të Shqipërisë në zonën sovjetike të influencës, një përshtypje kjo që Stalini donte ta evitonte se përbënte dhunim të Marrëveshjes së Yalta .
Në versionin jugosllav të regjistrimit të bisedës, i cili është i afërt me atë sovjetik, por i shkurtuar në disa pika të rëndësishme, jepet ky shkëmbim fjalësh mes Stalinit, Titos dhe zëvendësit të Titos, Rankoviç:
Stalin: E njihni ju Enver Hoxhën? Çfarë lloj personi është ai? Ata duan të na vizitojnë ne, por nuk duan të çojnë Enver Hoxhën vetëm, duan që ta shoqërojë Koçi Xoxe. A është ai (Enver Hoxha-K.M.) një komunist? A kanë atje (në Shqipëri-K.M.) ndonjë problem të brendshëm- çfarë informacioni keni ju për këtë gjë? Ata po provojnë të vijnë këtu por nuk duan të çojnë Enver Hoxhën vetëm. Koçi Xoxe kërkon të vijë me të, çka është një lloj shtrëngimi. Çfarë dini ju për këtë?
Tito: Ne nuk dimë gjë për këto lloj mosmarrëveshjesh.
Stalini: Ne po e shtyjmë vazhdimisht vizitën e tyre, çfarë mendoni ju, duhet t’ i presim ata. Ne mendojmë se nuk është e nevojshme.
Tito: Po , ne mund të kujdesemi për gjithçka me ta.
Stalini: Pikërisht tani do të ishte jokonvenuese për ne e për ata. Më mirë nëse i ndihmojmë ata nëpërmjet jush.
Stalini: Në këtë pikë shpreh mendimin se ka diçka të papëlqyeshme në Byronë Politike shqiptare.
Marko (Rankoviç): Shokët në Byronë Politike nuke shohin Enver Hoxhën mjaftueshëm solid si anëtar partie dhe kështu ata gjithmonë insistojnë që ai të shoqërohet nga Koçi Xoxe, si anëtari më i vjetër i partisë në Byronë Politike. Në plenumin e prillit (në shkurt-K.M.) ata diskutuan çështjen e vijës së partisë veçanërisht sa i përket Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik dhe njohën disa gabime, si dhe përjashtuan Sejfulla Malëshovën nga Byroja Politike, si bartës i këtyre gabimeve. Që atëherë udhëheqja ka qenë më konsistente.
Tito: Ne mund t’ i zgjidhim këto çështje me ta.
Stalin: Mirë.[lxvi]
Në versionin jugosllav të regjistrimit të bisedës ka diçka mjaft interesante që nuk është në versionin sovjetik, pikërisht fjalët e Stalinit se kërkesa e Xoxes për të shoqëruar Hoxhën nëse ky do të vizitonte Moskën, të cilat Stalini i quan një kontroll i Xoxes ndaj Hoxhës. Këto fjalë nuk ka arsye pse të mos jenë të vërteta se Xoxe mbështetej nga jugosllavët dhe ata nuk kishte pse të shpiknin diçka që nuk ishte në favor të njeriut të tyre të parapëlqyer. Në versionin jugosllav të bisedës, Tito i kërkoi Stalinit tërthorazi mandatin mbi Shqipërinë, gjë të cilën Stalini e pranoi, por duke i dhënë Titos të kuptonte se për Shqipërinë duhej të drejtohej në Moskë. Këtë kuptim kishin fjalët e Stalinit se Bashkimi Sovjetik do ta ndihmonte Shqipërinë nëpërmjet Jugosllavisë. Tito e kuptoi se këto fjalë në të vërtetë do të thoshin Stalini do ta përdorte Shqipërinë si një nga fijet me të cilat do ta lidhte mbante Jugosllavinë të lidhur me Bashkimin Sovjetik. Pikërisht për këtë arsye, Stalini, pasi tha këto fjalë shprehu dyshimin për atë që po ndodhte në Byronë Politike shqiptare duke lënë të kuptonte se sovjetikët do t’ i vëzhgonin nga afër në të ardhmen zhvillimet në udhëheqjen shqiptare. Këtu ndërhyri zëvendësi i Titos, Rankoviç, i cili duke mos e kuptuar se çfarë donte të thoshte Stalini, e pa këtë si rastin e përshtatshëm për t’ i bërë Stalinit një tour d’ horizon për udhëheqjen shqiptare, ku ideja ishte se Hoxha duhej zëvendësuar nga Xoxe. Tito duhet ta ketë mallkuar me vete Rankoviçin, i cili kishte qenë rrobaqepës katundesh me profesion, dhe në këtë rast, gënjeshtrën që Tito kishte qepur me pe të bardhë- siç i thonë fjalës-se ai nuk dinte asgjë për atë që ndodhte në udhëheqjen shqiptare, e shqeu fare duke e bërë të dalë në dritë. Në këtë pikë Tito u detyrua që t’ i kërkonte edhe një herë Stalinit leje që të merrej me udhëheqjen shqiptare dhe Stalini pranoi përsëri, pasi i kishte bërë jugosllavët të zbulonin krejt planet e tyre.
Më tutje, në atë që mund të quhej Natë e Valpurgeve komuniste, derisa biseda bëhej natën, sipas dokjes staliniane, biseda mes Stalinit dhe Titos u kthye në një deja vu të bisedës Stalin-Ribentrop:
Më tutje shoku Stalin pyeti nëse Enver Hoxha qe dakord që Shqipëria të përfshihej në federatën jugosllave. Tito dha përgjigje pohuese. Shoku Stalin tha se në kohën e tashme do të ishte e vështirë që të zgjidhte dy çështje të tilla si përfshirja e Shqipërisë në Jugosllavi dhe çështjen e Tristes.
Tito ishte dakord me këtë. Si rezultat, vazhdoi shoku Stalin, do të ishte e urtë që fillimisht të shqyrtohej çështja e miqësisë dhe ndihmës reciproke (traktatit të këtij lloji-K.M.) mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Tito tha se mbi të gjitha ky traktat do të siguronte mbrojtjen, integritetin territorial e pavarësinë kombëtare të Shqipërisë.
Shoku Stalin tha që ishte e rëndësishme të gjendej një formulë për këtë traktat që t’ i çonte Shqipërinë e Jugosllavinë më afër së bashku.[lxvii]
Nga ato që thotë Stalini kuptohet se jugosllavët e kanë informuar atë për planin e tyre për ta aneksuar shpejt Shqipërinë, duke u nënshkruar marrëveshja për këtë, pas të gjitha gjasave gjatë vizitës së ardhshme të Hoxhës në Beograd , që do të bëhej në qershor të atij viti. Stalini nuk ishte kundër që Jugosllavia të aneksonte Shqipërinë, por kishte vërejtje vetëm për kohën se kur do të ndodhte kjo gjë. Dhe këtë Stalini e thoshte jo aq për komplikimet që do të sillte aneksimi i Shqipërisë nga ana e Jugosllavisë, para se kjo e fundit të merrte Triesten, se Stalinit aq i bënte nëse Jugosllavia nuk arrinte që ta merrte Triesten. Stalini donte që të bënte me Jugosllavinë lojën e karrotës që bëhet me gomarin, duke përdorur Shqipërinë si karrotë. Kështu Stalini llogariste që të siguronte për një kohë të gjatë besnikërinë e Titos, derisa të gjente një gjë tjetër për ta mbajtur atë të lidhur pas vetes. Prandaj Stalini u shpreh kundër aneksimit të shpejtë të Shqipërisë nga Jugosllavia, duke u rikthyer tek ideja e vjetër e traktatit të miqësisë dhe ndihmës reciproke mes dy vendeve, shpalljen e të cilit ai e kishte kundërshtuar në janar 1945. Është ironi e madhe se Tito, i cili deri në atë moment kishte qenë për aneksimin e Shqipërisë nga Jugosllavia, tash pretendonte se traktati mes dy vendeve, për të cilin ai pajtohej me Stalinin se do të ishte i përkohshëm derisa të zgjidhej çështja e Triestes, çka do t’ i mundësonte Jugosllavisë që ta aneksonte Shqipërinë, do t’ i siguronte Shqipërisë integritetin territorial dhe pavarësinë! Stalini, i cili e kuptonte se çfarë kishte ndërmend Tito me këtë traktat, ia ëmbëlsoi pak pilulën e hidhur që i dha të pinte, duke i thënë se duhej gjetur një formulim i tillë që Jugosllavia dhe Shqipëria të lidheshin më tepër se ç’ lidhen shtetet rëndom me këto lloj traktatesh. Me këtë Stalini donte të thoshte se traktati duhet të ishte i formuluar në atë mënyrë që Shqipëria të bëhej vasale e Jugosllavisë. Në këtë mënyrë, Stalini i dha Titos mandatin mbi Shqipërinë, por gjithmonë i vëmendshëm dhe i gatshëm që t’ ia hiqte varësisht dëgjueshmërisë së Titos ndaj Moskës.
Stalini nuk do të ishte Stalini sikur për koncesionin që u bëri jugosllavëve në Shqipëri, të mos u kërkonte një tjetër më të madh. Sipas procesverbalit sovjetik të bisedës:
Shoku Stalin preku çështjen e përfshirjes së Bullgarisë në federatë.
Tito tha se asgjë nuk do të vinte prej kësaj federate.
Shoku Stalin tha se kjo duhet bërë.[lxviii]
Në versionin jugosllav të regjistrimit të bisedës ky episod jepet kështu:
«Stalini: A jeni ju në favor të një federate me Bullgarinë?
Tito: Jo. Tash nuk është koha».[lxix]
Stalini këtu qartësisht u shtir sikur ideja jugosllave për të përfshirë Shqipërinë në federatë, e kishte frymëzuar atë për të propozuar që në këtë federatë të hynte edhe Bullgaria. Stalini pasi e kishte ndaluar Titon që të përfshinte Shqipërinë në federatën jugosllave, i kërkonte tash që Jugosllavia dhe Bullgaria të bashkoheshin në një federatë. Por, derisa nuk mund të pritej që Bullgaria të hynte në federatën jugosllave, atëherë këtu ishte fjala për inicimin e zbatimit të projektit të federatës ballkanike. Federata apo konfederata ballkanike kishte qenë një projekt i Kominternit por deri më atëherë nuk ishte folur me detaje për realizimin e saj. Për Titon ishte një gjë shumë e dyshimtë fakti që Stalini po kërkonte ta fillonte sendërtimin e kësaj utopie kominterniane me lidhjen e Jugosllavisë me Bullgarinë. Tito e kuptoi se ku e ngriti kurthin e ri Stalini. Merret vesh, Stalini donte që federata jugosllavo-bullgare të bëhej para përfshirjes së Shqipërisë në federatën jugosllave. Por Bullgaria ishte një vend i madh krahasimisht me republikat jugosllave. Nëse Bullgaria do të hynte në federatë, atëherë ajo do të ishte republika më e madhe e federatës, edhe më e madhe se Serbia , si popullsi dhe si territor. Përveç kësaj futja e Bullgarisë në federatë do të rihapte çështjen e Maqedonisë jugosllave, e cila ishte shpikur nga Tito, dhe popullsia sllave e së cilës ishte në fakt bullgare. Bullgaria ishte një vend i krishterë ortodoks dhe tradicionalisht filorus, dhe me të Stalini llogariste të kompensonte kundërshtimin natyral që kishin ndaj Bashkimit Sovjetik popullsitë katolike dhe muslimane të Jugosllavisë. Tito e kuptonte se nëse Jugosllavia bashkohej me Bullgarinë atëherë ai, edhe sikur të mbetej udhëheqës i federatës do të kishte pushtet fiktiv dhe shpejt mund të zëvendësohej.
Tito u largua nga Moska me mendimin se ai me t’ ju krijuar rasti duhet të përpshpejtonte përfshirjen e Shqipërisë në federatë, dhe të shtirej sikur do të punonte për lidhjen federale mes Jugosllavisë e Bullgarisë, por pa bërë asgjë konkrete për këtë. Në mënyrë që të evitonte t’ i jepte Stalinit çdo lloj shkaku të panevojshëm për t’ u përzier në çështjet shqiptare, Tito hoqi dorë nga plani për ta larguar Hoxhën qetash nga pushteti. Tashmë për Titon kishte rëndësi që të ishte Hoxha njeriu që do t’ i firmonte të gjitha marrëveshjet mes dy vendeve për përfshirjen e Shqipërisë në federatën jugosllave. Ky do të ishte takimi i fundit mes Titos dhe Stalinit, si dhe vizita e fundit e Titos në Bashkimin Sovjetik. Ky takim kishte përcaktuar fushëbetejën e tyre, çështjen shqiptare.
5.
Pelegrinazhi në Beograd: «Gjoja në formë politese, i ngjita nja 7 a 8 shkallë, jo duke u kthyer krahët njerëzve se më shihnin këmbët, por i ngjita së prapthi duke u kthyer fytyrën dhe duke i salutuar».
Në këtë pikë drama e politikës së lartë të regjimit këtu u ndërpre përkohësisht në momentin kulmor dhe skena u zhvendua në Beograd. Hoxha ishte i pari udhëheqës shqiptar që po shkonte në Beograd pas 22 vjetësh, kur atje kishte qenë Ahmet Zogu, i cili 22 vjet më parë qe nisur nga Beogradi për të rimarrë pushtetin në Tiranë. Kryeministri Pashiç i kishte thënë Zogut, si me shaka, kur e përcolli: «Po ndahemi si miq, por do të dëgjohemi si armiq». Fjalët e shtetarit me shumë përvojë të Beogradit dolën profetike. Ahmet Zogu kur erdhi në pushtet në Tiranë, në vend që të lidhej me Beogradin, u lidh me Romën, duke nënshkruar me të paktin që i kishte premtuar Beogradit. Zogu bëri atë çka ishte interesi i Shqipërisë në atë situatë, kur Shqipëria kishte nevojë për një fuqi perëndimore si protektore dhe sponsore të zhvillimit të saj ekonomik, dhe veç Italisë së Musolinit asnjë fuqi tjetër perëndimore nuk ofrohej që ta mbante këtë barrë. Vizita e Hoxhës në Beograd në 1946 ishte revanshi i Jugosllavisë për disfatën që pati me Zogun. Hoxha do të bënte për Beogradin pikërisht atë që nuk e kishte bërë Ahmet Zogu.
Hoxha shkoi në Beograd në 23 qershor 1946 dhe qëndroi atje deri në 2 korrik 1946. Në delegacionin e kryesuar prej tij nuk merrte pjesë Xoxe. Tito me këtë donte të shmangte ankesat e Hoxhës për Xoxen dhe ballafaqimin mes të dyve. Por gjithsesi përbërja e delegacionit është shumë instruktive. Sipas komunikatës për vizitën në Beograd:
Kryetari i qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, ministër i Mbrojtjes Kombëtare dhe ministër i Punëve të Jashtme, gjeneralkolonel Enver Hoxha, ka qenë që prej 23 qershorit deri më 2 korrik në vizitë shtetërore miqësore në Jugosllavi, i shoqëruar prej nënpresidentit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, gjeneralmajor Myslim Pezës, gjeneralmajor Bedri Spahiut, ministrit të Drejtësisë Manol Konomit, Ministrit të Ekonomisë, Nako Spirut, ndihmësministrit të Punëve të Brendshme, Nesti Kerenxhit, drejtorit të Departamentit Politik të Shtatmadhorisë, kolonel Manush Myftiut, zëvendëssekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Punëve të Jashtme, Vasil Konomit, drejtorit të departamentit të Marinës, major Ferik Hados dhe shefit të Kabinetit ushtarak major Sadik Bekteshit.[lxx]
Hoxha vërtet nuk përmendet edhe me titullin e vet partiak se të dy partitë komuniste, si ajo shqiptare, ashtu dhe ajo jugosllave, qenë ende ilegale, por ajo që të bën përshtypje është se në komunikatën shqiptare për takimin e cila reflekton sigurisht komunikatën e nxjerrë nga jugosllavët gjatë takimit, Spiru është i pesti në radhë, në delegacionin shqiptar. Spiru vjen pas ministrit të Drejtësisë Manol Konomi, i cili nuk qe anëtar i Byrosë Politike dhe në hierarkinë e regjimit qe ndjeshëm më poshtë se Spiru. Duket se komunikata reflekton gjithsesi pakënaqësinë e jugosllavëve për aleancën e Hoxhës me Spirun. Delegacioni është i përbërë kryesisht nga njerëzit e Hoxhës, por atij i është atashuar edhe një njeri që është syri dhe veshi i Xoxes, zëvendësi i këtij të fundit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, madje zëvendësi më i rëndësishëm, ai që mbulon Sigurimin e Shtetit, Nesti Kerenxhi.
Vizita e Hoxhës në Jugosllavi, në qershor 1946, do të ishte e para vizitë zyrtare e tij në një vend tjetër, në cilësinë e shefit të regjimit të ri. Një episod nga pritja në momentin e zbritjes në aeroportin e Beogradit, flet shumë për karakterin e Hoxhës:
Jemi mbi aerodrom, ulemi në pistë, avioni rrëshqet, ndalet dhe hapet porta. Shohim që na presin shumë njerëz, ushtarë, banda ushtarake. S’ kishim kaluar kurrë nëpër ceremoni të tilla, këto ishin të panjohura për ne dhe do të na duhej të kishim kujdes të mos gabonim në të ashtuquajturat rregulla protokollare. Ne ecim përpara dhe drejt nesh vjen Titoja. Ai na jep dorën dhe na e shtrëngon fort. Kujtonim se sipas zakonit tonë do të përqafoheshim. Por jo. Rregulla dhe zakone të tjera. As që vumë re për këto gjëra.[lxxi]
Në kronikat filmike jugosllave është fiksuar ky moment i turpshëm për Hoxhën, kur ai bën të përqafojë Titon, por ky i fundit e ndalon, me një lëvizje të prerë. Hoxha, si një lake servil, donte të puthej e të ngalasej- sic thotë ai shpesh në të folmen gjirokastrite- me padronin, Titon, por nuk i eci. Prandaj edhe përshtypjet e para të Hoxhës për Titon shprehen në terma disi sarkastike:
Asgjë e dyshimtë nuk na ra në sy në fjalët e tij, përveç tonit «madhështor» të të folurit, fjalëve «autoritare» dhe rëndësisë së veçantë që i jepte çështjes kur vinte fjala e thoshte «kështu i thashë atij», «kështu i thashë këtij».[lxxii]
Por a nuk është ky që Hoxha i bën Titos edhe epigrami që i shkon atij vetë, çka del edhe nga kujtimet e tij? Megjithatë, Hoxha nuk tregohet krejt i sinqertë sa i përket përshtypjeve të para të tij nga takimi me Titon, çka zbulohet shumë vite më vonë, në 28 maj 1979, kur Hoxha do të shkruante në ditarin e vet:
87-vjeçari Tito është i sëmurë, por me sa duket jo fizikisht sepse më 25 maj e pamë në stadium të lyer si një konkë. I ndriste fytyra nga kremi dhe nga masazhi që i kishin bërë, ndërsa leshrat e kokës i kishte skuqur e bërë flakë. Në vendin tonë thonë se kuqalashët janë të pabesë. Mundet që kjo nuk është kështu, është një pikëpamje raciste. Ama përsa u përket pabesisë, dredhisë, tradhtisë, Titoja është një mjeshtër.[lxxiii]
Qartësisht, përshtypja e parë e Hoxhës për Titon ka qenë e keqe, për arsye raciale, se Tito ishte biond. Hoxha ia atribuon popullit shqiptar ndjenjën e mosbesimit tek flokëkuqët, e cila në fakt ekziston vetëm tek një pjesë e popullsisë dhe definitivisht ka ekzistuar edhe tek Hoxha. Ky i fundit ishte esmer, çka kur doli në Perëndim, në një mjedis ku dominonin biondët, i kultivoi një ndjenjë inferioriteti që shprehej në urrejtje ndaj biondëve. Është sinjifikuese që edhe një njeri si Gjilasi, i cili nuk ka qenë biond, dhe që kishte shumë më tepër arsye se Hoxha për të urryer Titon, nuk shpreh urrejtje raciale ndaj Titos kur e përshkruan atë, por thotë:
më tepër i afrohej tipit gjerman apo nordik, sikur të kishte qenë shtatlartë dhe jo mesatar, Tito do të kishte shërbyer si model i racës nordike.[lxxiv]
Për prioritetet e tij në bisedimet me Titon Hoxha shkruan:
Ne ishim të ndërgjegjshëm se çdo gjë nuk mund të zgjidhej me një të rënë të shkopit dhe se Jugosllavisë nuk mund t’ i bënim kërkesa jashtë mundësive të saj. Ajo që na preokuponte në radhë të parë ishin çështjet ekonomike dhe këtu ne kërkuam të na jepej ndihmë në kredi. Kreditë që kërkuam na duheshin për zhvillimin e bujqësisë dhe të industrisë. Në bujqësi ishim keq edhe për veglat më të thjeshta bujqësore. Natyrisht kërkuam të na jepnin edhe disa traktorë e mekanizma bujqësorë prej atyre që merrnin nga Bashkimi Sovjetik, nga UNRRA e gjetkë, të na akordonin ca farëra drithërash dhe bimë industriale e të tjera të këtij lloji. Siç shihen kërkesat tona ishin kërkesa modeste, kërkesa fukarenjsh, por çfarë mund të bënim tjetër!... Me rëndësi për ekonominë tonë ishte problemi i zhvillimit të mëtejshëm të minierave dhe në zhvillimin e në shfrytëzimin e tyre duhej të mbështeteshim shumë. Prandaj edhe u kërkuam ndihmë jugosllavëve për zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së nxjerrjes së naftës, të bitumit, të kromit, të bakrit etj. U kërkuam, natyrisht brenda mundësive, ndihmë për ngritjen e disa fabrikave të vogla të industrisë së lehtë, për të plotësuar nevojat e ngutshme dhe të domosdoshme të vendit tonë.[lxxv]
Kështu, zhvillimi ekonomik i Shqipërisë në të ardhmen do të varej nga Jugosllavia, e cila ishte një vend agrar, i varfër, i porsadalë nga një luftë që për të kishte qenë shumë më tepër shkatërrimtare se për Shqipërinë. E gjithë kjo ndodhte në një kohë që Shqipëria kishte një alternativë perëndimore, për një ndihmë konsistente ekonomike, e cila tashmë kishte filluar të vinte në vend, me gjithë pengesat që i nxirrte regjimi. Por regjimi i Hoxhës dhe Beogradi që ishte pas tij, kishte filluar të ndihej keq me këtë prani perëndimore në vend, dhe tashmë donte t’ i jepte fund asaj. Është e çuditshme që Hoxha kërkon që Jugosllavia t’ i jepte Shqipërisë ndihma prej atyre që merrte nga UNRRA, në një kohë që UNRRA ishte në Shqipëri dhe haste pengesa nga Hoxha për të sjellë ndihma?!
Në veprat e Hoxhës nuk jepen as fjalimet në Beograd, as biseda zyrtare me Titon. Sa i përket debatit në Byronë Politike të PKSH për rishikimin e Plenumit të Beratit, Tito i dha sadisfaksion Hoxhës. Ky i fundit, pas kthimit nga Beogradi, bisedon në 3 korrik 1946 me ministrin sovjetik në Tiranë, Çuvahin, i cili i raporton Moskës për bisedimet mes Hoxhës dhe Titos në Beograd:
Titoja porositi se tani partisë shqiptare i duhet të sigurojë unitetin dhe kompaktësinë se politikën e partisë dhe të qeverisë duhet ta drejtojë një person dhe se një person i tillë duhet të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, i cili, njëkohësisht është edhe kryeministër. Titoja i deklaroi Hoxhës se Koçi Xoxe duhet t’ i kuptojë të gjitha këto gjëra dhe në KQ të merret vetëm me çështje organizative dhe të mos bëjë kurrfarë politike.[lxxvi]
Titos i duhej ta qetësonte Hoxhën, ashtu që ky të firmonte marrëveshjet mes dy vendeve që i duheshin Jugosllavisë, dhe pastaj mund ta eliminonte, duke e flakur si limon të shtrydhur. Hoxha, në kujtimet e veta të botuara në vitin 1982, rrëfen kështu mbi bisedën që pati me Titon në Beograd për çështjen e trojeve shqiptare në Jugosllavi:
Titoja më pyeti ç’ mendoja unë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Heshta një moment për t’ i përmbledhur në mënyrë sa më koncize e të plotë pikëpamjet tona për këtë problem të rëndësishëm dhe i thashë:
-Ju i njihni padrejtësitë historike që i kanë bërë imperialistët e ndryshëm e reaksioni serbomadh Shqipërisë. Ju i njihni, gjithashtu, qëndrimet parimore të Partisë sonë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe dëshirën e mirë të popullit tonë për miqësi me popujt e Jugosllavisë.
Në vazhdim unë i shpreha Titos mendimin e palës shqiptare se Kosova dhe viset e tjera në Jugosllavi të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe duhet t’ i kthehen kësaj.
Shqiptarët luftuan,- i thashë,- që të ketë një Shqipëri të lirë dhe sovrane, së cilës tani duhet t’ i bashkohen edhe viset shqiptare të Jugosllavisë. Ka ardhur koha që ky problem nacional të zgjidhet drejt nga partitë tona.
Presidenti Tito u përgjigj:
-Jam dakord me pikëpamjen tuaj, por tash për tash nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë, sepse serbët nuk do të na kuptojnë.[lxxvii]
Hoxha, sa qe gjallë Tito, nuk e publikoi kurrë këtë bisedë të supozuar. Në volumin e tretë të veprave të Hoxhës, i botuar në kohën kur qe gjallë Tito, nuk jepet asnjë nga bisedat e Hoxhës me Titon. Sa për deklaratën që Hoxha i atribuon Titos se çështja e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi, do të zgjidhej sipas parimit të vetëvendosjes nacionale kur ta mirëkuptonin serbët, ishte e sigurt se nuk kishte për të pasur kurrë mirëkuptim nga ana e serbëve për këtë çështje. Është domethënëse se Hoxha, kur sajon këtë bisedë me Titon, nuk thotë se i kërkoi Titos shpjegime për genocidin e bërë nga partizanët jugosllavë në Kosovë e trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, gjë për të cilën Hoxha tashmë ishte në dijeni. Si mund të besonte një udhëheqës shqiptar tek jugosllavët pas asaj që kishte ndodhur me shqiptarët e Jugosllavisë në dimrin e viteve 1944-45 dhe në pranverën e vitit 1945?
Hoxha nuk ishte mashtruar aspak, por ishte i vetëdijshëm për atë që bënte, çka kuptohet edhe nga një letër të Komitetit Qendror të PKSH, e qershorit 1947, e firmuar prej tij, drejtuar gjithë organizatave të partisë në vend, mbi arrestimin e disa deputetëve, të cilët fajësohen ndër të tjera edhe se qenë shprehur për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi sipas së drejtës së vetëvendosjes, të cilën Beogradi e kërkonte me të madhe për sllavët jashtë kufijve:
Kjo është pasoja e parullave dhe e direktivave t’ imperializmit Anglo- Amerikan si dhe drejtimi i politikës së Ballit, i cili ishte kundra një afrimi me Jugosllavinë e re dhe predikonte Shqipërinë Ethnike, Shqipërinë e madhe me Kosovën, gjë të cilën reaksioni ynë i mbrëndëshmë e ngrinte me tërë forcat e tij. Nuk është aspak e rastit që agjentat Anglo-Amerikanë hidhnin parullat për çështjen e Kosovës, në rrethet e këtyre dhe të njerëzve të tyre si dhe parullat e rezikut Jugosllav dhe «nënshtrimit të Shqipërisë tek Titua».[lxxviii]
Hoxha, kur rrëfen për bisedimet në Beograd me Titon për Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi, jo vetëm gënjen, por gënjen si një komedian, duke demaskuar vetveten. Kështu, Hoxha shkruan:
Këtij Titoje që u shpreh me kaq «zhdërvjelltësi» dakord me mua për problemin e Kosovës, as nuk i shkoi goja të thoshte: «shoku Enver, unë propozoj që ju, përveç vendeve të tjera të Jugosllavisë, duhet të shkoni të vizitoni edhe Kosovën. Ne duhet t’ i tregojmë popullit shqiptar të Kosovës se erdhi koha e një miqësie të vërtetë me popujt e Jugosllavisë» etj. Titoja dhe shokët e tij patën frikë ta bënin një gjë të tillë.[lxxix]
Por Hoxha nuk thotë se kërkoi të shkonte në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi, gjatë vizitës së tij në këtë vend, dhe këtë kërkesë ia refuzuan jugosllavët. Hoxha thotë me një ironi vetëdemaskuese:
Gjatë ditëve të vizitës as në Beograd, as gjetkë, në asnjë mbledhje ose pritje nuk pashë as takova ndonjë nga udhëheqësit komunistë shqiptarë të Kosovës, megjithëse disa i njihja dhe personalisht si: Fadil Hoxhën, Ymer Pulën, Nimanajt e të tjerë. Të vetmen «përfaqësuese» të Kosovës që takova ishte nëna e Miladin Popoviçit.[lxxx]
Në fakt, Miladin Popoviçi kishte qenë «Kosova» për Hoxhën që në vitin 1941, kështu që nëna e tij në 1946, ishte një përfaqësuese e denjë e asaj çka përfaqësonte Kosova për Hoxhën tashmë. Ajo çka e konfirmon këtë është deklarata e Hoxhës në plenumin e jashtëzakonshëm i KQ të PKSH, në dhjetor 1946, pas nënshkrimit të konventës ekonomike me Jugosllavinë:
Disa anëtarë partie që duan të filozofojnë thonë se mos kërkojë populli ç’ bëhet me Kosovën. Në rast se një anëtar partie e ka të qartë vijën, ai e ka të qartë edhe çështjen e Kosovës. Jugosllavia demokratike është më e avancuar, më e përparuar se ne. Interesi ynë është që ajo të jetë e fortë, se me një Jugosllavi të fortë do të ketë demokraci në Ballkan. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresiste. Pra në këtë situatë, përkundrazi duhet të bëjmë ç’ është e mundur që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët.[lxxxi]
Hoxha më pas do të shkruante në librin e vet me kujtime «Hrushovianët», për qëndrimin e dyfishtë të Titos ndaj trojeve shqiptare në Jugosllavi dhe trojeve të rivendikuara nga Jugosllavia si sllave në Itali:
Tito «marksisti» e bëri çështje të madhe problemin e krahinës së Venecia-Xhulias, duke pretenduar sikur Bashkimi Sovjetik nuk po e ndihmonte të merrte këtë krahinë që e quante krejt jugosllave, kurse po ky farë «marksisti» çështjen e Kosovës, që ishte me të vërtetë shqiptare, jo vetëm nuk e ngriti, për t’ ia dhënë Shqipërisë që i përkiste, por bëri çmos që të mos flitej për të.[lxxxii]
Por pse Hoxha vetë nuk e bëri çështjen e Kosovës ekuivalentin e çështjes së Venecia-Xhulias?
Hoxha nuk bëri asnjë tentativë, në rrafsh internacional, që, pas luftës këto treva, t’ i bashkoheshin shtetit shqiptar. Nuk ndoqi shembullin e Titos, i cili pas lufte nuk pranuan që të largohen prej Istrias dhe zonës në lindje të Triestes, duke e kushtëzuar largimin me mbajtjen e një referendumi, ku popullsia do të shprehej, në bazë të parimit të vetëvendosjes nacionale, se me cilin shtet donte që të bashkohej. Hoxhën e nxitën për këtë gjë dhe amerikanët dhe britanikët. Në 1946, i dërguari amerikan në Tiranë, Henderson, pasi dëgjoi një protestë të Hoxhës për shkak të pranimit nga ana e amerikanëve të kërkesës greke për t’ u shqyrtuar në Konferencën e Paqes rivendikimet greke ndaj Shqipërisë, i tha këtij të fundit:
Gjeneral, cili do të qe reagimi juaj sikur Shqipëria të kërkonte të fuste në rendin e ditës të Konferencës së Paqes një pretendim për një rajon, fjala vjen të Kosovës; dhe sikur delegacioni i SHBA-ve të votonte kundër lejimit të Shqipërisë për të shprehur pretendimet e veta në Konferencë? A nuk do mendonit se ju, së pakut qe dashur t’ u jepej e drejta që pretendimi juaj të diskutohej e studiohej?[lxxxiii]
Përgjigjia e Hoxhës ishte:
Analogjia nuk ka vend sepse ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë Jugosllavisë për Kosovën.[lxxxiv]
Kjo ishte gjuha e kolaboracionistit të jugosllavëve, i cili shqetësohej për trojet shqiptare të rivendikuara nga grekët, se padronët e tij në Beograd e donin të gjithë Shqipërinë për vete. Ministri fuqiplotë jugosllav në Tiranë, Velimir Stoiniç, në qershor 1945, i raportonte me shqetësim Beogradit për sjelljen e perfaqësuesit britanik në Tiranë:
Gjeneralin Hodgson e çuditte fakti pse qeveria shqiptare, deri më sot nuk ka dhënë kurrfarë deklarate mbi qëndrimin e saj ndaj Kosovës dhe Metohisë. [lxxxv]
Këtu fjalën «Metohi» e përdor i dërguari jugosllav në raport dhe jo gjenerali britanik. Apologjia e regjimit komunist se ai nuk kishte mbështetje ndërkombëtare për ta ngritur çështjen e Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare në Jugosllavi, bie nga faktet. Hoxha, i cili nga njëra anë nuk e internacionalizoi cështjen e trojeve shqiptare në Jugosllavi, në anën tjetër mbështeti rivendikimet territoriale jugosllave. Në 16 shtator 1947 Hoxha i çoi Titos përshëndetje me rastin e marrjes nga Jugosllavia të territoreve të rivendikuara. Përshëndetja botohet dhe në të vetmen të përditshme të kohës në Shqipëri, «Bashkimi»:
Shkëlqesisë së Tij
Mareshalit Josif Broz Tito
Kryetar i Këshillit Ministror dhe Ministër i Mbrojtjes Kombëtare të Jugosllavisë
Beograd
Ne përshëndesim me gjithë shpirt bashkimin e Polas, të Istria dhe të bregdetit slloven me mëmëdheun, me Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë. Më lejoni zoti Mareshal t’ Ju shpreh në emër të popullit shqiptar, në emër të Republikës Popullore si dhe në emrin tim personal gëzimin që ne provojmë me këtë rast, mbasi ky eveniment historik i jep fund definitivisht periudhës së gjatë të shtypjes fashiste, të persekutimeve e të terrorit dhe inauguron për kroatët e për sllovenët e krahinave të çliruara një jetë të re, të lirë e të lumtur.
Gjeneralkolonel Enver Hoxha
Kryetar i Këshillit Ministror dhe ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.[lxxxvi]
Në ato që thotë Hoxha, sikur ai i kërkoi Titos që Kosova dhe trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi të bashkoheshin me Shqipërinë, ka një ironi të madhe, se Hoxha kishte shkuar në Beograd të arrinte akordin me të cilin do të bëhej hapi i parë formal për aneksimin e Shqipërisë nga Jugosllavia. Hoxha në bisedimet me Titon u mor vesh për nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke me Jugosllavinë, i cili do të nënshkruhej në Tiranë gjashtë ditë pas kthimit të Hoxhës nga Beogradi, por që u konkludua në Beograd, gjatë vizitës së Hoxhës. Kjo del dhe nga komunikata e përbashkët jugosllavo-shqiptare, e dalë në 3 korrik 1946, pas përfundimit të vizitës së tij në Beograd:
Përfaqësonjësit e Shqipërisë dhe të Jugosllavisë vendosën të konkludojnë një pakt miqësie dhe ndihme reciproke. Një pakt i tillë do të konfirmojë vëllazërimin e palëkundshëm të vaditur me gjak, të krijuar në Luftën e madhe Çlirimtare të përbashkët kundër të njëjtit armik, do të konfirmojë vullnetin e popujve të të dy vendeve për të mbrojtur së bashku dhe në të ardhmen lirinë dhe indipendencën e tyre.[lxxxvii]
Tito nuk mungoi që të sondonte Hoxhën edhe për çështjen e federatës ballkanike, të cilën Stalini ia kishte kërkuar Titos një muaj më parë në Moskë. Tito donte të dinte nëse sovjetikët apo bullgarët i kishin folur Hoxhës për këtë projekt. Hoxha rrëfen se si u fol në bisedën e tij me Titon për këtë çështje:
Pas kësaj Titoja u hodh në një problem tjetër, në atë të së ashtuquajturës «Federatë ballkanike» dhe më pyeti se cili ishte mendimi im për këtë çështje.
-Për këtë çështje,- iu përgjigja, ka pasur një ide prej kohësh. Demokratë e antizogistë shqiptarë, në mes të të cilëve dhe komunistë në emigracion, kishin rënë në kontakt me Kominternin dhe kishin krijaur organizatën KONARE.
Në kontakt me shokun Dimitrov, kjo organizatë kishte adoptuar idenë e Kominternit për «Konfederatën ballkanike» dhe e propagandonte këtë... Kur filluam Luftën Nacionalçlirimtare e gjatë zhvillimit të saj, asnjëherë nuk kemi menduar për këtë problem dhe kjo ide u zëvendësua me luftën e përbashkët, në mes popujve të Ballkanit kundër pushtuesve nazifashistë. Sejfulla Malëshova, kur u kthye nga mërgimi, na teorizonte për problemin e «Konfederatës» ose të «Federatës ballkanike». Këtë ide në parim e gjenim të drejtë dhe tani perspektiva nuk ishte kaq e mbyllur, por duhej shumë punë dhe duhej, në rradhë të parë, të fitohej lufta kundër pushtuesve nazifashistë. Ne vazhdojmë të kemi këtë mendim, por duhen pjekur situatat, duhet të punojmë shumë të kapërcehen armiqësitë e vjetra dhe do të dëshironim që ju të na sqaroni më mirë për këtë problem kaq të rëndësishëm, për arsye se nuk dimë as pikëpamjen tuaj, as të bullgarëve e as të grekëve.
Titoja më dëgjoi me shumë vëmendje dhe, kur përfundova më tha:
-Ju kuptova shumë drejt, shoku Enver, dhe jam dakord me ato që thatë. Edhe ne kemi qenë e jemi dakord për krijimin e kësaj federate, kemi bërë e do të bëjmë edhe përpjekje konkrete, por problemi është, ashtu si thatë ju, i vështirë, që s’ mund të zgjidhet menjëherë e nuk varet vetëm nga ne. Ne nga ana jonë do të dalim në kohën e duhur edhe me propozime konkrete e do të shohim të gjitha rrugët e mundshme, por zemra na e do ta ndërtojmë federatën. Shembulli dhe përvoja e Jugosllavisë së re Federative do të shërbejnë shumë në këtë drejtim. Por le ta lemë për sot këtë problem. Unë e zura në gojë më tepër meqë ra fjala për të ardhmen e Kosovës. Brenda «Federatës ballkanike» çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë do të ishte shumë më e lehtë.
-Pa dyshim!- i thashë.- Por ne gjithmonë qëndrojmë tek ajo që përmendëm në fillim: Krijohen apo jo mundësitë për një «Federatë ballkanike» është tjetër problem dhe zgjidhja e çështjes së Kosovës është një problem krejt tjetër. Duhet të punosh, siç thatë vetë ju, për ta zgjidhur drejt çështjen e Kosovës.
-Ne do të punojmë në këtë drejtim,- «më dha fjalën» Titoja.[lxxxviii]
Hoxha nuk dinte kurrgjë për çka Tito kishte biseduar me Stalinin në Moskë një muaj më parë, për çështjen e lidhjes federale mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë. Kur Tito e pyeti, Hoxha mendoi se mos ai donte ta vinte në provë nëse bënte apo jo plane për të evituar përfshirjen e Shqipërisë në federatën jugosllave, nëpërmjet hyrjes së Shqipërisë, si subjekt më vete, në federatën ballkanike. Prandaj Hoxha u kujdes që t’ ia bënte të qartë Titos se e pranonte në parim këtë ide-si edhe vetë Tito-por e shikonte shumë të largët realizimin e saj. Këtu është interesante se Hoxha paraqet si shkak për shtyrjen e realizimit të projektit të federatës ballkanike atë se ekzistojnë armiqësi të vjetra mes popujve të Ballkanit të cilat duan kohë që të kapërcehen. Por a nuk qe armiqësia shqiptaro-serbe një nga më të vjetrat në Ballkan? Si do të kapërcehej kështu ajo duke u lidhur një traktat mes dy vendeve, që do të pasohej nga marrëveshje me të cilat të dy vendet praktikisht do të bashkoheshin, duke u bërë bashkimi shtetëror një formalitet i pastër. Tito e kuptoi se sovjetikët nuk kishin folur me Hoxhën, çka e bëri të dyshonte edhe më tepër se Stalini i kishte ngritur kurth kur i kishte kërkuar lidhjen federale me Bullgarinë. Por Hoxha tregon një talent prej komediani në sajimin e shumë fjalëve të bisedës së tij me Titon që jepet në paragrafin e mësipërm. Hoxha bën sikur harron se çështja e konfederatës ballkanike ishte përmendur dhe në Deklaratën e Kongresit të Përmetit, dy vjet më parë, në 28 maj 1944, ku thuhej:
Lufta e popullit tonë është e lidhur ngushtë me luftën e gjithë bllokut antifashist. Ajo vëllazëron popullin tonë me popujt e tjerë liridashës dhe veçanërisht me popujt fqinj të Ballkanit. Ajo krijon konditat për krijimin e një Konfederate Ballkanike, ku të gjithë popujt të kenë të drejtë të barabartë, ku të gjithë popujt të kenë të tëra mundësitë që të zhvillohen e të përparojnë në të gjitha fushat, krijon konditat për një Federatë që do të kish peshë të madhe për zhvillimin e drejtë të politikës europiane.[lxxxix]
Si për të fshehur gjurmët e krimit, ky paragraf i deklaratës është hequr nga teksti që është botuar në librin «Dokumente të organeve të larta të pushtetit nacional-çlirimtar» (1962)
Edhe pse i zoti i shtëpisë në Beograd bënte gjithçka që Hoxha ta ndjente veten mirë, disa situata të krijuara e vinin në vështirësi Hoxhën, duke i kujtuar të kaluarën e tij partizane krejt të ndryshme nga ajo e Titos. I tillë është një episod që e Hoxha e rrefen në kujtimet, kur rrëfen një episod të ndodhur pas një darke në rezidencën e Titos:
Për të pirë kafenë Titoja u ngrit dhe pas tij u ngritëm të tërë. Mori disa nga ne, ambasadorin sovjetik, Lavrentievin, e disa shokë të tij dhe na nxorri në park. Ishte natë, por kishte drita dhe Titoja na udhëhiqte. Ku po shkonim? Mbërritëm në një guvë dhe hymë brenda. Atje dritat ndriçonin gjithçka, qilimat e shtruar, kolltukët, tryezat e ngarkuara me pije, me fruta, me ëmblësira e me pije freskuese. U ulëm pa protokoll në një tavolinë me Titon, Lavrentievin, Moshe Pijaden, Kardelin e ndonjë tjetër.[xc]
Kjo tregonte nostalgjinë e Titos për shpellat, ku i pëlqente të qendronte gjatë luftës, në male. Por kjo e vinte në një situatë të papëlqyeshme Hoxhën, që gjatë pesë viteve e gjysmë të pushtimit, qëndroi për më tepër se katër vjet në qytetin e Tiranës, për më shumë se një vit në fshatra, dhe për disa muaj në qytete të tjera si Përmet, Berat, Elbasan. Por gjatë kësaj mbrëmjeje fati i kishte rezervuar Hoxhës të tjera situata në të cilat ai do të shfaqte të vërtetën e vet, si dhe aftësinë e tij prej komediani. Hoxha shkruan në kujtimet për vazhdimin e asaj mbrëmjeje:
Kur ishim në shpellë kishte rënë një vesë shi, aq sa rruga qe bërë gjithë baltë dhe për fatin tim të keq, duke i pasur këmbët e pantallonave të gjata, rrethi i këmbëve të pantallonave dhe këpucët lustrina nga pas u bënë ibret, tërë llucë. Kur hodha sytë e i pashë në të hyrë të salloneve, ku gumëzhinin njerëzit se po u vinte mareshali, u skuqa nga turpi. Nuk kisha ç’ bëja, vetëm nuk duhej të lëvizja shumë, por kjo varej nga Titoja. Duhej t’ i hiqja këmbët zvarrë që të mos më dukeshin thembrat e këpucëve. Dhe kështu bëra. Por provova një torturë të vërtetë. Mirë që sytë e të gjithëve drejtoheshin nga mareshali.
Nga nxehtësia e sallave po djersinim, njerëzit rrethonin mareshalin dhe ne, por nxehtësia thante dhe më mirë llucën e pantallonave dhe të këpucëve të mia lustrina dhe e vinte më në dukje.[xci]
Ja tek ishte ai Hoxha, kryeministri i Shqipërisë që gjendej në Beograd për të shitur atje vendin e vet, në një mënyrë shumë më të turpshme dhe më të rëndë se ç’ kishin bërë paraardhësit e tij, në krye të shtetit shqiptar, të cilët ai i kishte akuzuar se e kishin shitur Shqipërinë tek Italia fashiste. Por, derisa ata e kishin bërë këtë gjë, pasi Italia e kishte pushtuar ushtarakisht Shqipërinë, dhe madje kishin përfituar dhe kushte shumë më të mira për vendin, deri edhe bashkimin me Kosovën dhe troje të tjera shqiptare në Jugosllavi, Hoxha ishte duke firmuar shitjen e Shqipërisë tek Jugosllavia, pa qenë i shtrenguar nga pushtimi ushtarak jugosllav, dhe pa asnjë përfitim për vendin. Balta që Hoxha kishte në këpucët luksoze dhe në pantallonat e tij, ishte në mënyrë simbolike balta që ai i kishte hedhur vetes duke shitur Shqipërinë në Beograd. Kjo «baltë» nuk mund të fshihej me asnjë truk, edhe pse Hoxha bën përpjekje ta fshijë në kujtimet e veta. Një tjetër episod gjatë kësaj mbrëmjeje në Beograd, duket sikur është sajuar qëllimisht nga fati për ta nxjerrë shtetarin-komedian, të përbaltur me tradhti, në mënyrë figurative, në bankën e të akuzuarve të historisë:
Më në fund Titoja tha:
-Hajdeni miq t’ ju tregoj pallatin ku banoj dhe punoj unë.
Thamë se shpëtuam! Por ja përpara nesh, kurdoherë të ndjekur nga turma e grave me dekolte e me xhevahire në qafë e në gishtrinj dhe nga burra me smoking na del një shkallë en colimaçon (shënimi në tekst: në formë spiraleje).
Atje duhej të ngjiteshim dhe këtë herë nuk kisha si t’ i hiqja këmbët zvarrë. Ç’ të bëja? Atëherë kundër dëshirës sime, gjoja në formë politese, i ngjita nja 7 a 8 shkallë, jo duke u kthyer krahët njerëzve se më shihnin këmbët, por i ngjita së prapthi duke u kthyer fytyrën dhe duke i salutuar. E kalova edhe këtë torturë të fundit.[xcii]
Kjo ishte një situatë e bërë si me porosi për Hoxhën, që ky të shfaqte talentin e vet prej komediani. Skena tjetër e përbaltjes do të ndodhte pas pak ditësh në Tiranë, ku në 9 korrik 1946 do të firmohej Traktati i Miqësisë dhe i Ndihmës reciproke në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, nga Hoxha (si ministër i jashtëm) dhe Stanoje Simiç, ministri i jashtëm jugosllav. Traktati ishte në fakt një traktat vasaliteti i Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Traktati fillonte me një falsifikim historik kur në preambulën e tij thuhej:
Popujt e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë kanë pasur gjatë historisë së tyre të njëjtit armiq, që kërcënonin pavarësinë e tyre respektive dhe që deshin t’ u shkëputnin pjesërisht ose tërësisht tokat e tyre dhe t’ i robëronin.[xciii]
E vërteta ishte se sllavët ortodoksë të jugut dhe në mënyrë të veçantë serbët, patën qenë për shumë shekuj një nga rreziqet kryesore për shqiptarët dhe vazhdonin të ishin të tillë edhe në kohën kur u nënshkrua traktati. Me nenin e dytë dhe të tretë të traktatit Jugosllavia bëhej garant i pavarësisë dhe integritetit të Shqipërisë, çka do të thoshte në praktikë se pavarësia dhe integriteti i Shqipërisë kishin marrë fund dhe se tashmë vendi ishte një dominion jugosllav:
Të dy palët e larta kontraktore do të marrin së bashku të gjitha masat që do të jenë të nevojshme për të siguruar pavarësinë dhe integritetin e të dy vendeve të tyre, për të ndaluar në të ardhmen çdo përsëritje agresioni të njëllojtë me atë të Gjermanisë hitleriane dhe të Italisë fashiste.[xciv]
Neni i tretë i traktatit saktësonte se si do të bëhej kjo gjë:
Në qoftë se njëra nga të dy palët e larta kontraktuese atakohet prej kujtdo tjetër fuqie me qëllim që të cënojë pavarësinë e saj, të robërojë ose t’ i shkëputë ndonjë pjesë të tokave të saj, pala tjetër kontraktuese do t’ i japë menjëherë ndihmën ushtarake si dhe çdo ndihmë tjetër, simbas mjeteve që disponon.[xcv]
Kjo do të thoshte në praktikë se Jugosllavia rezervonte të drejtën që të pushtonte ushtarakisht Shqipërinë, në mënyrë legale, kurdoherë që e quante të nevojshme këtë gjë. Traktati ishte i vlefshëm për 20 vjet. Hoxha në Kongresin I të PKSH, në nëntor 1948 do ta qortonte Mbretin Zog se:
ay nuk punoi për cdukjen e vendimit të 9 nëntorit 1921 të Konferencës së Ambasadorëve që i njihte Italisë një pozitë të privilegjuar në Shqipëri dhe që ishte një akt ndërkombëtar poshtëronjës për popullin tonë dhe në kundërshtim me statusin juridik të Shqipërisë si shtet Indipendent.[xcvi]
Mbreti Zog, në marrëdhëniet shqiptaro-italiane, ishte i obliguar nga një akt ndërkombëtar që kishte trajtën e mandatit italian mbi Shqipërinë. Kjo e detyroi Zogun të nënshkruante me Italinë marrëveshjet që nënshkroi. Por Hoxha nuk shpjegoi se përse ai që nuk gjendej në pozitën e Zogut e lidhi Shqipërinë me Jugosllavinë me marrëveshje shumë më të pafavorshme dhe të rënda se ato që lidhi Zogu me Italinë? Zogu u largua nga Shqipëria se refuzoi të pranonte marrëveshje më të lehta se ato që Hoxha do të nënshkruante në vazhdim me Jugosllavinë.
Derisa Hoxha u kthye nga Beogradi si beniamini i jugosllavëve për momentin, edhe çështja e mbetur pezull e rishikimit të plenumit të Beratit dhe e dualizmit në pushtet u zgjidh me një kompromis mes tij dhe Xoxes. Xoxe në letrën që i çon në 23 shkurt 1949 Komisionit të Posaçëm Hetimor nga burgu, thotë për qëndrimin e tij në këtë çështje:
Spostim (i Enver Hoxhës-K.M.) nuk ka ekzistuar dhe në rishikimin e Beratit doli se ekzistonte mosnjohje e drejtë e funksioneve të pushtetit dhe e marrëdhënieve Parti- pushtet, për të cilën u vendos që të jepeshin instruksione dhe u dhanë nga gusht- shtatori (1946-K.M.), nëntor-dhjetor, shkurt-mars (1947- K.M.), me anën e letrës mbi vigjilancën dhe mbi disa çështje organizative.[xcvii]
Xoxe, në situatën e re bëri një tërheqje duke lëshuar në dukje me fjalë diçka nga kompetencat që i kishte uzurpuar Hoxhës, në pritje që të rifitonte ato dhe më tepër, kur të krijohej situata për eliminimin e Hoxhës. Gjithashtu, Xoxe, në letrën që i çon në 23 shkurt 1949 Komisionit të Posaçëm Hetimor nga burgu, shkruan për çështjen e rishikimit të plenumit të Beratit:
Revizioni i Beratit përfundoi në këtë mënyrë: Çështja që Veloja dhe Sejfullai në Berat kritikuan vend e pa vend gabimet që kishin bërë Miladini e shoku Enver, si edhe në mënyrën e ekzagjeruar dhe të padrejtë kritikuan vijën e Partisë dhe mbi këtë pikë ishin dakord që të gjithë, si dhe çështja që Velimir Stoiniçi duhej të drejtohej më parë te shoku Enver, unë Pandi dhe Nakoja nuku ishim dakord duke i dhënë kësaj rëndësi formale që nuk erdhi në krye, por erdhi më pas dhe ashtu u krijua lidhje me Sekretarin e Përgjithshëm për të shtruar, siç thoshte Veloja, çështjet dhe për të dhënë eksperiencë, ku mbi këtë dhe më në fund thamë se më mirë do të ishte po të ishte drejtuar më parë te shoku Enver. Këto u hoqën nga bisedimi në kohën e rishikimit të Beratit, pas ardhjes së shokut Enver nga Jugosllavia., ku siç na referoi Enveri në Byro, këtë çështje e kishin zgjidhur me Titon, duke thënë Titoja se Veloja ka bërë ca gabime si prej partizani dhe sepse këta kishin rënë dakord që të vijë një këshilltar që të na ndihmojë vetëm në çështje të Partisë dhe ekonomike, pranë Byrosë dhe ky erdhi, ishte Savo Zllatiçi; bashkë me këtë u hoq edhe çështja e Sejfullait, mbasi ai ishte kritikuar dhe hequr në Plenumin e 5-të.[xcviii]
Në praktikë, kompromisi i Hoxhës me Xoxen konsistonte në këto pika, që na i jep Xoxe, në letrën që i çon në 23 shkurt 1949 Komisionit të Posaçëm Hetimor nga burgu:
Ramë dakord dhe u morën këto masa:
a)Për zgjerimin e Byrosë e të KQ
b)Për funksionimin e rregullt të Byrosë e të Komitetit Qendror
c)Masa për të vënë në vijë të drejtë vijën parti-pushtet.[xcix]
Kështu, shqyrtimi i atij që Hoxha e quajti në tezat e rishikimit, si puçi i Beratit, i kryer pas shpinës së Komitetit Qendror, përfundoi në të njëjtën mënyrë konspirative, me një marrëveshje brenda një klike të ngushtë në Byronë Politike, që iu paraqit kësaj të fundit si fakt i kryer. Komiteti Qendror do të ishte në pozitë edhe më të keqe se në plenumin e Beratit, se këtë herë as që mori vesh gjë, deri në vitin 1948. Ironikisht, Hoxha me këtë provoi akuzat për prirje për të ngritur klikë, që i kishin bërë kundërshtarët e tij në Berat. Tarasi-Herman kishte gjetur kombinacionin fitues të letrave. Tashmë ai duhet ta provonte atë në lojë.
6.
«Gjergja më tha: Pse nuk e merr në dorë situatën, në do që ta rregullosh. Besimi i Jugosllavisë te ti është i plotë»
Në kohën që u duk se Hoxha u ribë beniamini i jugosllavëve dhe revanshoi ndaj Xoxes, për të u shfaq një rrezik i ri, i papritur, që ironikisht vinte andej nga Hoxha nuk e priste, nga Parisi. Në Paris, në 29 korrik 1946 u hap Konferenca e Paqes, ku do të diskutohej dhe arrihej në traktatet e paqes mes fuqive të koalicionit antifashist dhe fuqive të mundura në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë konferencë Greqia do të kërkonte aneksimin e territoreve të Shqipërisë së Jugut, të cilat ajo i kishte rivendikuar që në Konferecën e Versajës, pas Luftës së Parë Botërore. Shqipëria nuk ishte thirrur në Konferencë si shtet aleat, por thjesht për të shfaqur pikëpamjen e saj për çështjen e Traktatit të Paqes me Italinë. Statusi i ulët që i ishte dhënë Shqipërisë ishte një arsye më tepër që delegacioni shqiptar të ishte i nivelit të lartë (Delegacioni i Greqisë në Konferencë kryesohej nga kryeministri Caldaris), e megjithatë profili i delegacionit shqiptar ra shumë nga mosdashja e Hoxhës për të shkuar në krye të delegacionit në Paris. Derisa Hoxha mbante edhe postin e ministrit të Punëve të Jashtme, pra në krye të delegacionit nuk mund të ishte as ministri i Punëve të Jashtme, u arrit deri atje sa delegacioni shqiptar kryesohej nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme Hysni Kapo.
Kjo anomali e çuditshme u krijua për shkak se Hoxha ndoqi praktikën e tij të rëndomtë në raste të tilla, ashtu siç kishte vepruar dikur në Konferencën e Mukjes, kur nuk shkoi duke mos dashur të mbante pasojat nëse do të shkonin punët keq. Hoxha e kishte të qartë se, nëse ai shkonte në Paris dhe atje vendosej që territoret e rivendikuara shqiptare t’ i jepeshin Greqisë, atëherë emri i tij do të lidhej me këtë humbje. Kështu që Hoxha mendonte që të bënte caper expiatorius Kapon, njëlloj si Ymer Dishnicën në Mukje. Kjo sjellje ishte në stereotipin e Hoxhës si politikan dhe shtetar. Ai donte të mbante sa më tepër poste, pa dashur të mbante përgjegjësinë e tyre. Edhe pse Hoxha e dinte se në Paris do të luhej fati i një pjese të madhe të territoreve të Shqipërisë, duke përfshirë edhe vendlindjen e tij, Gjirokastrën, ai megjithatë nuk shkoi që në fillim atje, siç ia kërkonte detyra që mbante dhe nderi, në rast se kjo fjalë kishte kuptim për të.
Në 3 gusht 1946 Kryeministri grek Caldaris mbajti fjalimin e vet në Konferencën e Paqes në Paris, ku kërkoi që Greqisë, edhe për arsye sigurie t’ i jepej e drejta e aneksimit të territoreve në Shqipërinë e Jugut, si dhe në Bullgari. Në këto rrethana Hoxha ishte i detyruar që të shkonte në Paris për të folur në emër të Shqipërisë. E megjithatë edhe pas kësaj Hoxha e vonoi nisjen për 16 ditë. Në 17 gusht 1946 Hoxha iu drejtua Kuvendit Popullor me një fjalim me rastin e nisjes së tij në Konferencën e Paqes në Paris :
Në lidhje me Konferencën e Paqes, në të cilën vendi ynë është thirrur të shfaqë pikëpamjet e tija si në mbledhjet plenare dhe në komisionet ku hartohet Traktati i Paqes me Italinë, qeveria jonë caktoi dhe dërgoi delegacionin shqiptar të kryesuar provizorisht nga deputeti, shoku Hysni Kapo. Qeveria duke marrë parasysh rëndësinë e çështjes vendosi që të shkoj unë atje dhe të marr kryesinë e delegacionit për të shfaqur pikëpamjet e qeverisë shqiptare.[c]
Sikur nuk qe i vetëdijshëm që në fillim për rëndësinë e çështjes! Derisa Hoxha nuk shkoi në Paris që në fillim, edhe pse ishte krejt i vetëdijshëm për rëndësinë e asaj që po ndodhte atje, atëherë mund të thuhet me siguri se kur ai vendosi të shkojë, e bëri këtë gjë i urdhëruar nga jugosllavët, të cilët e donin të gjithë Shqipërinë për vete, dhe nuk donin që një pjesë të saj ta merrnin grekët. Kjo konfirmohet nga fakti që e sjell vetë Hoxha, se ai, rrugës për në Paris , si një vasal i mirë, ndaloi në Jugosllavi që të takohej me Titon, madje, në mënyrë domethënëse, në Paris shkoi i lagur nga… qeni i Titos. Hoxha e tregon kështu këtë episod:
Më vonë, jo në vizitë zyrtare, buzë këtij liqeni, kam bërë edhe një takim me Titon, më duket kur u nisa për në Konferencën e Paqes në Paris . Shkova nga Beogradi, por Titoja ishte në Slloveni, pikërisht në një vilë buzë liqenit të Bledit. Me avion më çuan atje, ku u takova me të. Biseduam në verandë për mundësinë e zhvillimit të problemeve që do të diskutoheshin në Paris . Natyrisht ramë dakord. Titoja më mbajti për drekë. Ishte një vilë e bukur verore, luksoze, në mes të luleve e pemëve. Në të dalë të vilës, buzë liqenit, ishin vendosur varka të bardha me motor. Në dhomë, në këmbët e Titos, ishte shtrirë qeni i madh i tij (pasardhësi i «Luksit» fatzi), i cili bënte sikur flinte, herë gërhiste dhe herë lëshonte nga një… krismë. Më në fund Titos nuk iu durua dhe i tha general Todoroviçit, një ish-partizan që kishte qenë edhe në Shqipëri: «Nxirre jashtë!»
Pasi mbaruam bisedën, para se të hanim drekë, Titoja mua dhe Zhujoviçit, që më vonë e likujdoi tok me Hebrangun si stalinistë, na propozoi të bënim një shëtitje në liqen. Nuk ia refuzova sido që nuk dija të bëja as not, në rast se kthehej varka.
U vu në lëvizje motori dhe varka rrëshqiti. Me not na ndiqte edhe qeni i Titos. «Të paktën,- thosha me vete,- këtij do t’ i ftohen p…»… Kur po ktheheshim, Titoja tha:
-U lodh qeni,- dhe i thirri,- hip!
Ai u hodh në varkë dhe meqë ishte sa një viç, varka u lëkund, por s’ pësuam gjë, e pësoi vetëm kostumi im i Konferencës së Paqes, pse qeni u shkund dhe unë mora një dush në rroba.
-I thajmë kur të vemi në vilë,- tha Titoja.
-S’ ka gjë,- i thashë unë, duke i hedhur sytë qenit.[ci]
Gati të bëhet të besosh se qeni i Titos qartësisht u bë xheloz për Hoxhën, që sillej si qen me Titon, prandaj vendosi që ta ndëshkojë këtë rival të papritur. Duket se qeni i Titos, me instinktin e vet prej qeni, kishte kuptuar natyrën prej qeni të Hoxhës, që më pas do t’ ia vinte në dukje Dolores Ibarruri, duke e quajtur qen që kafshon dorën e atij që e ushqen. Dolores Ibarruri e kishte njohur Hoxhën në një rrethanë të tillë kur ai shfaqte vetëm njërën anë të natyrës së vet prej qeni. Këtë anë të natyrës së vet prej qeni të tërbuar Hoxha e shfaqte kur shikonte se i zoti e linte në fatin e vet. Por Hoxha sillej si qeni më besnik që i lëpin dorën të zotit, dhe është gati të sulmojë e kafshojë çdokënd për hir të tij, sa kohë që i zoti e ushqente dhe e mbante mirë. Hoxha, pasi u kthye nga Beogradi ku shiti Shqipërinë, ironikisht shkoi në Paris, në Konferencën e Paqes, të mbronte Shqipërinë për llogari të Jugosllavisë, i lagur nga qeni i padronit, ose më saktë si një qen i lagur. Në Paris Hoxha do të sillej si qeni që i lëpihet padronit, edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, Moshe Pijade:
Aty nga mesi i gushtit 1946, ndërsa në Paris kishte filluar punimet Konferenca e Paqes, ne dhe gjithë opinioni publik ndërkombëtar dëgjuam për denoncimin e fortë që i bëri Moshe Pijade në një nga seancat e Konferencës propozimit të Caldarisit për një marrëveshje të fshehtë greko-jugosllave për copëtimin e Shqipërisë.
Pak ditë pasi kishte folur Pijade, unë shkova vetë në Paris, për të kryesuar delegacionin tonë në këtë Konferencë dhe qysh në takimin e parë e falenderova Pijaden për qëndrimin e tij e të qeverisë jugosllave ndaj propozimit të ndyrë të Caldarisit. Isha bashkë me Molotovin në momentin kur takova Pijaden dhe këtij iu bë shumë qejfi për fjalët e mia, ca më tepër që poi a thosha në sy të Molotovit.[cii]
Hoxha, pasi ka treguar se si ka shkuar në Beograd të shesë Shqipërinë tek Jugosllavia dhe e ka firmuar tashmë traktatin me të cilin e kishte bërë këtë gjë, guxon e thotë se e falenderoi ministrin e Punëve të Jashtme të vendit tek i cili e kishte shitur Shqipërinë, se nuk pranoi që ta ndante Shqipërinë me Greqinë?! Hoxha nuk sillet thjesht si qen, por është një komedian që sillet si qen!
Shqipëria do të dëgjohej në Konferencë në 21 gusht. Një ditë para kësaj, në 20 gusht, kryeministri grek i bëri të ditur zyrtarisht Sekretarit të Përgjithshëm të Konferencës së Paqes se Greqia do të paraqiste në ditët e ardhshme amendamente për projektin e Traktatit të Paqes me Italinë. Këto amendamente kishin të bënin me nenet 21 dhe 26 që kishin të bënin me Shqipërinë. Në vazhdim, në 27 gusht Greqia i paraqiti Konferencës së Paqes një rezolutë në frymën e rivendikimeve të saj ndaj Shqipërisë. Hoxha do t’ i drejtohej me një fjalim Konferencës së Paqes në 21 gusht 1946. Ai tha:
Shqipëria e quan të padrejtë vendimin për të mos ta ftuar atë si pjesëtare të Konferencës.[ciii]
Në vazhdim, për të mbështetur këtë pretendim, Hoxha do të thoshte rrena kolosale që vetëm një komedian mund t’ i thoshte, dhe që nuk mund t’ i bënin veçse të qeshnin, ata që dëgjonin. Për rezistencën shqiptare në 7 prillin 1939, ndaj invadimit italian, Hoxha tha:
Pesëmbëdhjetë mijë vullnetarë shqiptarë luftuan si heronj në Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin, si dhe në thellësi të vendit kundër zaptuesit të urryer.[civ]
Hoxha e kishte shumëzuar së paku me njëzet shifrën e vërtetë të atyre që luftuan kundër invadorëve në 7 prill 1939. Duket se kështu kishte bërë Hoxha me të gjitha shifrat që dha në Konferencë. Gënjeshtra të tillë nuk kishin tjetër efekt veçse të kompromentonin Shqipërinë me joseriozitet. E megjithatë Hoxha vazhdoi me këtë stil kur tha edhe një rrenë tjetër të trashë për këtë periudhë:
Pas ditëve të përgjakshme të prillit rezistenca u zgjerua, 3000 burra të armatosur kishin marrë malet, kështjellat e përhershme të popullit tonë.[cv]
Gënjeshtra të tilla nuk i besonte kurrkush. Aq më tepër kur Hoxha evitoi të thoshte se ku ishte ai vetë në atë kohë, kur ai rrinte në Kafe Kursal ku shpenzonte paratë e fituara nga tregtia e cigareve. Të dhënat e tjera që dha Hoxha në Konferencë, mund të qenë fare mirë një tablo e terrorit që kishte ndërmarrë regjimi i tij në vend, se sa i periudhës fill pas pushtimit fashist:
Burgjet ishin mbushur me patriotë; ata varnin me dhjetëra, internonin me mijëra në ishujt e vdekjes: në Lipari, Ventotene dhe gjetkë.[cvi]
Shifrat që dha Hoxha për represionin fashist gjatë pesë vjetëve e gjysmë të pushtimit, ngjanin të vogla në krahasim me rekordet e regjimit të tij në më pak se dy vjet:
10 000 të internuar politikë në Itali dhe në Gjermani, 35000 të përdorur në punë të detyrueshme.[cvii]
Pastaj Hoxha, në fjalimin e vet, kundërshtoi pretendimet e kryeministrit grek Caldaris se Shqipëria kishte qenë vend agresor gjatë Luftës së Dytë Botërore, kinse kishte sulmuar Greqinë së bashku me Italinë në 1940. Hoxha i drejtoi kryeministrit grek një pyetje me të cilën tregoi mosnjohje të saktë të historisë:
A do ta konsiderojë zoti Caldaris si vend agresor Francën prej ku Hitleri mendoi të ndërmarrë ofensivën kundër Anglisë?.[cviii]
Në fakt Hitleri e ndërmori agresionin kundër Britanisë së Madhe nga Franca , derisa nga territori francez niseshin shumë nga aeroplanët gjermanë që bombardonin qytetet britanike. Ironia ishte se Shqipëria, vërtet nuk kishte kryer agresion ndaj Greqisë në 1940, siç thoshte saktë Hoxha, por ishte në prag të kryerjes së këtij agresioni në 1946, në sajë të qeverisë së Hoxhës, e cila mbështeste me të gjitha mjetet guerriljet komuniste greke, të cilët përdornin si bazë territorin shqiptar. Hoxha do t’ i drejtohej Konferencës me këto fjalë:
Zotërinj, ne kujtojmë se është pa vend dhe një gjë e papranueshme të preket në këtë konferencë çështja e integritetit tokësor të Shqipërisë… Po deklarojmë solemnisht se: brenda kufijve tanë të tanishëm nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj dhe nuk do të lejojmë kurrë që të na preken, sepse ato për ne janë të shenjta.[cix]
Çështja kaloi në votim në Konferencë dhe ku blloku perëndimor që kishte shumicën votoi në shtator për pranimin në parim të kërkesës greke për rishikimin e kufirit greko-shqiptar. Këtu nuk kishte asgjë të çuditshme derisa Shqipëria shihej si një bastion sovjetik në Mesdhe, ose së paku potencialisht e tillë, sipas teorisë së Kennan. Mbi këtë ngjarje është ngritur miti historik se në ato rrethana rezultoi shpëtimtare lidhja e Shqipërisë me Lindjen, çka e shpëtoi vendin nga coptimi. Por e vërteta është se ishte pikërisht lidhja e Shqipërisë me Lindjen komuniste ajo që vuri në rrezik tërësinë tokësore të vendit. Fuqitë perëndimore që tash votuan pro kërkesës greke kishin qenë ato që në të njëjtat rrethana, në Konferencën e Paqes të mbajtur pas Luftës së Parë Botërore, nuk i kishin dhënë sadisfaksion Greqisë për rivendikimet e saj territoriale ndaj Shqipërisë. Prandaj duhet menduar se këto fuqi perëndimore kishin ndryshuar sjellje për shkak të regjimit që tash ishte në fuqi në Tiranë. Gjithsesi konsideratat gjeopolitike do të prevalonin mbi ato ideologjike dhe fuqitë perëndimore edhe këtë herë nuk do t’ i jepnin sadisfaksion Greqisë. Se tekefundit pse Konferenca e Paqes nuk mori vendim që të pranonte kërkesën greke për ndryshimin e kufirit greko-shqiptar? Sigurisht që jo sepse i frenoi retorika e Hoxhës e llojit të deklaratës që bëri në 16 shtator Hoxha para mediave të huaja në Paris :
Unë deklaroj solemnisht se: as Konferenca e Parisit, as Konferenca e të Katërve, as çdo konferencë tjetër qoftë, nuk mund të marrin në shqyrtim kufitë e vendit tonë brenda të cilëve nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj. Kufitë tanë janë të padiskutueshëm dhe askush nuk do të guxojë t’ i prekë. Që të mundin të marrin një tokë të vendit tonë, grekët duhet të venë në lëvizje të tjera mekanizma përveç votës së Konferencës të Parisit. E gjitha bota ta dijë se populli shqiptar nuk lejon që të diskutohen kufitë e tij dhe toka e tij.[cx]
Mbi këto fjalë është ngritur miti historik se regjimi i Hoxhës e shpëtoi Shqipërinë nga coptimi dhe aneksimi i krahinave jugore të saj prej Greqisë. Por kishte një shpërpjestim kolosal mes fuqisë retorike të fjalëve të Hoxhës, dhe fuqisë reale që zotëronte ai për të bërë atë shprehnin fjalët e tij. Hoxha përfaqësonte një vend shumë të vogël, të varfër, të paarmatosur, i cili kishte vetëm mbështetjen e dyshimtë të një vendi jo të madh, të varfër dhe të armatosur keq, dhe me shumë armiq, si Jugosllavia, të cilën për më tepër Stalini e kishte paralajmëruar se nuk do të kishte ndihmën sovjetike nëse hynte në luftë me fuqitë perëndimore për Shqipërinë, dhe madje i kishte thënë se kjo ishte një luftë që nuk ia vlente. Në anën tjetër, kundërshtari i drejtpërdrejtë i Shqipërisë dhe eventualisht i Jugosllavisë në këtë luftë, Greqia, do të kishte mbështetjen e gjithanshme të Britanisë së Madhe, por edhe mbështetjen konsistente të SHBA. Hoxha nuk po e mbronte Shqipërinë nga rreziku i shpërbërjes, pavarësisht deklaratave të tij të forta. Hoxha ishte faktori që kishte krijuar situatën për rrezikimin e Shqipërisë. Ishte regjimi i Hoxhës ai që me aventurën e tij të marrë të mbështetjes së guerriljes komuniste në Greqi, të ndërmarrë me urdhër të Jugosllavisë, do të vinte seriozisht në rrezik integritetin territorial të Shqipërisë. Për të kundërshtuar pretendimet greke, Hoxha do të ngrinte për herë të parë dhe të fundit në një forum ndërkombëtar cështjen e minoritetit shqiptar në Greqi, duke thënë në fjalimin e tij në Konferencën e Paqes:
Nga të 60 mijë shqiptarët e mbetur në Greqi, sipas Traktatit të Londrës, nga viti 1913 e gjer në vitin 1923 35 mijë shqiptarë u dërguan me forcë në Turqi si «nënshtetas turq» në këmbim të grekërve të Azisë së Vogël… Në qershor të vitit 1944 dhe në mars të vitit 1945, bandat e gjeneralit kuisling Napoleon Zervas deshën t’ i zhduknin shqiptarët që kishin mbetur: ata dogjën katundet e tyre, u plaçkitën pasuritë dhe vranë me mijëra burra dhe gra, fëmijë dhe pleq. Më se 20 mijë shqiptarë që mundën të shpëtonin nga vdekja u arratisën në Shqipëri, ku sido që kanë ndihmën e qeverisë dhe të popullit shqiptar, jetojnë në një mjerim të madh.[cxi]
Në 16 shtator 1946. Hoxha u largua nga Franca dhe të nesërmen, në 17 shtator, u kthye në Tiranë. Ai qëndroi një muaj në Paris , së bashku me bashkëshorten e vet Nexhmijen. Kjo u bë shkak që të krijoheshin anekdota në Shqipëri. Tradita orale na sjell disa prej tyre, si ajo që bazohet tek zërat që qarkulluan se Komandanti shkoi me Nexhmijen në Paris që të dy të vizitoheshin dhe kuroheshin në klinika të shtrenjta mjekësore, në mënyrë që të lindnin fëmijë. Anekdota thotë se kur mjekët i kërkuan Hoxhës spermë për analiza, ai u tha se do t’ u përgjigjej të nesërmen, dhe kërkoi leje në Beograd .
Kur Hoxha u kthye nga Parisi në Tiranë, atje e priste sfida më e rëndësishme për të, ajo e kontrollit të Byrosë Politike. Edhe pse Hoxha kishte marrë në dukje bekimin në Beograd për të drejtuar partinë dhe qeverinë, duke u shmangur dualizmi, dhe Xoxe ishte shtirur sikur e kishte pranuar këtë, përsëri gjërat nuk po ndryshonin në praktikë. Xoxe vazhdonte të zbatonte taktikën djallëzore që ta pranonte me fjalë supremacinë e Hoxhës, por ta pengonte në praktikë. Duket se kjo situatë u konvenonte edhe jugosllavëve, se ata nuk ndërhynin seriozisht për t’ i dhënë një zgjidhje, edhe pse me fjalë vazhdonin t’ i jepnin mbështetje të plotë Hoxhës. Duket se të njëjtën gjë bënin edhe me Xoxen. Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të 24 dhjetorit 1947, do të thoshte duke rrëfyer për periudhën pas kthimit nga Parisi:
Puna në Byro do të shkonte mirë po të ishim dakord ne të katër, kjo nuk u bë derisa Koçi tha:«ti je sekretar politik dhe ne i bindemi shumicës». Unë shoh se sa kohë që Koçi e Pandi nuk ishin dakord, nuk mund të ndreqej situata.[cxii]
Qëndrimi i i Xoxes është sa apologjetik, aq edhe bllokues. Xoxe thotë se e njeh Hoxhën si sekretar politik, por do t’ i bindet atij vetëm nëse Hoxha arrin të sigurojë shumicën në Byronë Politike për të mundur të drejtojë. Natyrisht që Xoxe do të bënte gjithçka që Hoxha të mos ta arrinte këtë gjë. Sigurimi i shumicës në Byronë Politike varej nga qëndrimi i të lëkundurve, Jakova dhe Spahiu, të cilët bënin që raporti i forcave mes Hoxhës dhe Xoxes të ishte volatil, derisa ata silleshin sipas një stereotipi, ashtu që kur mbështesnin Hoxhën, Xoxe ushtronte shantazh ndaj tyre dhe ata tërhiqeshin. Kjo gjendje nuk u pëlqente as Hoxhës, as Xoxes. Secili prej tyre donte të siguronte shumicën në Byronë Politike. Hoxha më vonë në autokritikën e vet në mbledhjen e Byrosë Politike në dhjetor 1947, do të zbulonte tërthorazi se ai ishte inkurajuar nga sovjetikët në verën e vitit 1946, që të merrte kontrollin e Byrosë Politike:
Kam qenë nën presion të tmerrshëm të Nakos, kam biseduar dhe me Çuvakinin. Ai tha: «Pse lihet gjendja kështu?»[cxiii]
Ministri sovjetik Çuvahin i raporton Moskës në 21 shtator 1946, për një bisedë me Hoxhën në lidhje me këtë çështje:
Enver Hoxha me iniciativën e vet filloi të fliste për situatën në Byronë Politike dhe në Komitetin Qendror të partisë. Ai deklaroi hapur se pas kthimit të tij nga Parisi është i bindur edhe më shumë për domosdoshmërinë e riorganizimit urgjent të punës si në Byronë Politike, ashtu edhe në KQ. Sipas fjalëve të tij, në Byronë Politike është krijuar një situatë jonormale, ndërkohë që gjysma e saj nuk bën asnjëfarë pune. Nga përbërja e Byrosë Politike prej gjashtë vetash, në thelb punojnë vetëm Enveri, Koçi Xoxe dhe Nako Spiru, kurse treshja tjetër- Bedri Spahiu, Pandi Kristo dhe Tuk Jakova- si rregull, nuk marrin pjesë fare në diskutimet e Byrosë Politike dhe në të gjitha rastet pranojnë gjithçka që u propozojnë.[cxiv]
Kjo ishte mënyra e Hoxhës për t’ i thënë ministrit sovjetik se ai nuk e kishte kontrollin mbi Byronë Politike. Hoxha sigurisht që nuk do të ishte asfare i shqetësuar sikur tre anëtarët inaktivë të Byrosë Politike (ai për të margjinalizuar kundërshtarin e vet Xoxen fut ndër ta dhe Pandi Kriston, për të cilin vetë thotë në raste të tjera se ishte mbështetës i Xoxes) të cilët mbështesnin propozimet e të tjerëve, të mbështesnin propozimet e tij dhe jo ato të Xoxes. Por duket se ka qenë e kundërta ajo që e shqetësonte atë. Në këto rrethana Hoxha filloi të zbatonte rregullat e luftës politike staliniane që ia kishte mësuar dikur Miladin Popoviç, luftë në të cilin Hoxha ishte stërvitur si qen sulmi i lëshuar nga Miladin Popoviç. Tashmë Hoxha ndërsente Spirun ndaj Xoxes dhe pastaj i ankohej ministrit sovjetik për situatën e krijuar në Byronë Politike nga sherri Spiru-Xoxe. Çuvahin i raporton në 21 shtator 1946, se Hoxha i ka thënë në këtë bisedë:
Veç të tjerash, kohët e fundit janë ashpërsuar marrëdhëniet mes Koçi Xoxes dhe Nako Spirus. Puna ka arritur deri aty,- deklaroi Enver Hoxha,- saqë nganjëherë kam qenë i detyruar të ndërprisja seancat e Byrosë Politike pa marrë kurrfarë vendimesh. Sipas fjalëve të Enver Hoxhës, Koçi Xoxe e pret me sedër të sëmurë çdo lloj kritike të veprimeve të veta nga ana e Nako Spirus; për më tepër kur disa masa ose propozime të Enver Hoxhës nuk i pëlqejnë Koçi Xoxes, atëherë edhe në këtë rast ai mundohet të shfajësohet me intrigat e Nako Spirus dhe se janë drejtuar kundër tij, Koçi Xoxes. Tipar negativ i Koçi Xoxes, sipas fjalëve të Enver Hoxhës, është fakti që «ai i mbivlerëson tej mase aftësitë e veta dhe gjërat i shikon me një optimizëm të tepruar».[cxv]
Nuk dukej asfare e besueshme që Hoxha të alarmohej nga sherri mes Spirut dhe Xoxes, që ishte një zhvillim mëse i mirëpritur për Hoxhën. Madje Hoxha e mbështeti pikërisht në këtë konflikt zbatimin e planit të vet për zgjerimin e Byrosë Politike. Ideja e Hoxhës ishte që të shtirej sikur zgjerimi po bëhej mbi bazën e propozimeve të anëtarëve të Byrosë Politike, çka në praktikë do të thoshte të propozimeve të Xoxes dhe të Spirut, se të tjerët nuk bënin propozime, por mbështesnin ato që dëgjonin, siç ka thënë vetë Hoxha. Ky i fundit vetë do të mbështeste Spirun dhe kështu të dy të arrinin të kishin shumësinë në Byronë Politike, duke e kontrolluar atë. Por Hoxha donte dhe miratimin e jugosllavëve për planin e tij për zgjerimin e Byrosë Politike. Ai më pas do të rrëfente në mbledhjen e Byrosë Politike, në dhjetor 1947, për atë që i tha ministri jugosllav mbi këtë cështje:
Gjergja më tha: «Pse nuk e merr në dorë situatën, në do që ta rregullosh. Besimi i Jugosllavisë te ti është i plotë». Situata nuk u rregullua.[cxvi]
Jugosllavët e dinin se Hoxha ishte marrë vesh me sovjetikët, prandaj vendosën të luajnë me dinakëri, duke e përdorur planin e tij për të bërë lojën e tyre për fuqizimin e Koci Xoxes. Hoxha pasi u inkurajua nga Çuvahin dhe Gjergja e mori në dorë situatën duke vënë në zbatimin vendimin e marrë pas kthimit të tij nga Beogradi, në korrik, për zgjerimin e Byrosë Politike me anëtarë të rinj. Hoxha e shikonte zgjerimin e Byrosë politike si mënyrë për ta kontrolluar atë, duke futur njerëzit e përzgjedhur prej tij dhe Spirut. Çuvahin, i raporton Moskës në 21 shtator 1946, për bisedën me Hoxhën mbi zgjerimin e Byrosë Politike:
Tani Hoxha është duke punuar për çështjet e saktësimit të përbërjes së ardhshme të Byrosë Politike dhe të KQ, si edhe për faktin se si, në ç’ formë dhe kur do të vihen në jetë masat e parashikuara.[cxvii]
Hoxha duhej të mblidhte plenumin e Komitetit Qendror për të bërë zgjerimin e Byrosë Politike, por ai nuk kishte ndërmend që ta bënte këtë gjë, se nuk kishte shumësinë në Komitetin Qendror të dalë nga plenumi i Beratit. Xoxe do të thoshte në Plenumin VIII në 1948 për mënyrën se si u procedua për zgjerimin e Byrosë Politike në vjeshtë 1946:
U shtrua në Byro zgjerimi i Byrosë dhe i Komitetit Central. Këtu u shkelën rregullat organizative. Faj është se këta njerëz nuk i propozoi KC. Këta vinin në Byro me motivacionin se do të ishin shpëtimtarët e udhëheqjes dhe të Partisë. Këta që u propozuan për në Byro ishin kandidatë të KQ.[cxviii]
Hoxha do të pohonte në në mbledhjen e Byrosë Politike të 24 dhjetorit 1947, në lidhje me zgjerimin e Byrosë Politike në vjeshtën e vitit 1946:
Këtu është gabimi im kryesor përsa i përket elementëve për zgjerimin e Byrosë me këta të tre. Zgjerimi në parim nuk ishte i drejtë dhe aspak i mirë, pse që të mund të shkonte puna mirë, nuk ishte puna që duhej të zgjerohej Byroja, por duhej qenë dakord ne të katër, pse përsa i përket Bedriut, ai ka qenë indiferent mbas çështjes së Sejfullait, sikur të mos kishte qenë fare anëtar i Byrosë… E kam thirrur një herë dhe e kam pyetur: Pse nuk flet? Bedriu më tha se «nuk ka hiç gjë».[cxix]
Komenti që i bëri Beqir Balluku në Plenumin VIII, në 1948, zgjerimit të Byrosë Politike në vjeshtë 1946, na zbulon se cilat qenë propozimet e Xoxes dhe cilat të Spirut, domethënë të Hoxhës:
Nako Spiru kundërshtonte hyrjen e Gogos, të Shules dhe të Hysniut në Byro. Ai kundërbalancon këta duke propozuar Lirinë, Mehmetin, Fadilin, me gjithë kundërshtimet nga ana e shokut Koçi dhe Pandit dhe jashtë rregullave këta hynë në Byro. Pse ndodhi kjo? Sepse kështu ishte gjendja në Byronë tonë dhe influencimi i shokut Enver nga Nakoja.[cxx]
Nga kjo kuptohet se Gogo Nushi, Kristo Themelko (Shulja) dhe Hysni Kapo qenë propozuar nga Xoxe, pra ai i shihte ata si njerëz të tij me të cilët do të siguronte kontrollin e Byrosë Politike. Hoxha i kundërshton propozimet e Xoxes me anë të Spirut dhe bën propozimet e veta me anë të këtij të fundit. Xoxe dhe aleati i tij, Pandi Kristo, sigurisht që i kundërshtojnë ato. Duke parë emrat që propozojnë të dy palët, të bën përshtypje fakti se Xoxe propozon dy të krishterë ortodoksë (Gogo Nushi dhe Kristo Themelko), si dhe një musliman (Hysni Kapo). Por edhe muslimani i vetëm që propozoi Koci Xoxe në atë kohë do të ndahej nga gruaja e vet muslimane dhe do të martohej me një të krishterë ortodokse, cka duket se ishte parakushti që ai të hynte në Byronë Politike me mbështetjen e Koci Xoxes. Spiru, domethënë Hoxha propozon tre muslimanë. Me propozimet e Xoxes Byroja Politike do të kishte gjashtë të krishterë, nga të cilët pesë ortodoksë dhe tre muslimanë. Ndërsa me propozimet e Hoxhës, Byroja Politike do të kishte pesë muslimanë dhe katër të krishterë. Konflikti mes palëve ishte shndërruar në fetar. Sipas traditës orale Xoxe dhe të vetët e quanin Spirun «turku», për shkak se ishte martuar me Belishovën.
Në këto rrethana, kur zgjerimi qe bllokuar derisa të dy palët kishin propozuar nga tre emra për anëtarë të rinj të Byrosë politike, Hoxha bën një plan të ri, të cilin ia paraqet ministrit sovjetik në Tiranë, për zgjerimin e Byrosë Politike me pesë anëtarë, nga të cilët tre të qenë të propozuarit nga Xoxe dhe dy të qenë të propozuarit nga Spiru. Çuvahin i raporton Moskës në 21 shtator 1946, për fjalët e Hoxhës në lidhje me këtë:
Ai është i mendimit se përbërja e Byrosë Politike duhet të zgjerohet deri në 11 veta me 'punonjës të rinj, energjikë dhe më të aftë', të cilët tashmë e kanë prezantuar veten në punë. Sipas mendimit të tij, në Byronë Politike do të duhej të përfshihej shefi i tanishëm i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Mehmet Shehu, shefi i ri i Drejtorisë Politike pranë Shtabit të Përgjithshëm, Kristo Themelko, zëvendësministri i Arsimit (drejtuesi i ardhshëm i agjitpropit në KQ), Fadil Paçrami, i dërguari i tanishëm në Beograd, Hysni Kapo (po projektohet me kalimin e kohës për postin e ministrit të jashtëm) dhe sekretarja e KQ të rinisë, Liri Belishova. Të gjithë anëtarët e kësaj pesësheje Enver Hoxha i karakterizonte si punonjës të talentuar, të zotë, të cilët do të mund të fusin një frymë të re në punën e Byrosë Politike.[cxxi]
Hoxha mendonte se, me Spirun, këta të tre (ndër të cilët ishte dhe gruaja e Spirut Belishova) dhe me shokun e vet të fëmijërisë Spahiun, i cili kur të shikonte se Hoxha kishte mundësi të arrinte të krijonte shumësinë në Byronë Politike do të bëhej me të, do të arrinte të kontrollonte Byronë Politike. Në këtë rrethanë Enver Hoxha mendonte se do të kishte edhe mbështetjen e të lëkundurit tjetër Jakovës. Ajo çka tjetër të bën përshtypje në listën me pesë emra që paraqet Hoxha për anëtarë të Byrosë Politike është se në të janë katër muslimanë dhe një i krishterë ortodoks, në një kohë që në Byronë Politike kishte katër të krishterë dhe dy muslimanë. Nëse do të pranohej plani i Hoxhës për zgjerimin e Byrosë Politike, atëherë në të do të kishte gjashtë muslimanë dhe pesë të krishterë, nga të cilët katër ortodoksë dhe një katolik. Hoxha qartësisht kishte si imperativ që të përmbyste raportin fetar në Byronë Politike. Kjo dukej e natyrshme duke konsideruar raportet ndërfetare në popullsinë e vendit, por në situatën e dhënë ishte një revolucion i vërtetë në politikën e lartë të regjimit.
Hoxha kishte planifikuar madje që pas kontrollit të Byrosë Politike të arrinte dhe atë të Komitetit Qendror, duke rritur numrin e anëtarëve të tij, me njerëz të besuar. Çuvahin i raporton Moskës në 21 shtator 1946, se Hoxha i ka thënë për këtë çështje:
Sipas mendimit të Enver Hoxhës në përbërjen e KQ mund të përfshiheshin të tillë anëtarë partie, si Manol Konomi (ministër i Drejtësisë), Misto Treska (drejtor i Drejtorisë së Shtypit), Haki Toska (zëvendësministër i Bujqësisë), Nesti Zoto, mundet edhe Ramadan Çitaku etj.[cxxii]
Manol Konomi kishte qenë miku i Hoxhës në Korçë, në kohën kur ky kishte qenë mësues në lice. Haki Toska ishte bashkëqytetari i Hoxhës nga Gjirokastra. Ramadan Çitaku kishte qenë njeriu i afërt i Hoxhës deri në plenumin e Beratit kur ishte përjashtuar nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror si pjestar i klikës së Miladin Popoviçit dhe Hoxhës.
Por gjërat shkuan krejt ndryshe nga ç’ kishte llogaritur Hoxha. Në Byronë Politike u pranuan si anëtarë të tre emrat që propozoi Xoxe dhe u refuzuan të tre emrat që propozoi Hoxha me anë të Spirut. Byroja Politike u rrit në nëntë anëtarë dhe shumësinë atje e kishte Xoxe. Madje vetë votimi për emrat e propozuar për anëtarë të Byrosë Politike, kishte qenë një provë force mes Hoxhës dhe Xoxes, dhe në këtë provë force kishte fituar Xoxe. Kjo ishte bërë e mundur se dy të lëkundurit e Byrosë Politike, qartësisht duke iu nënshtruar shantazhit të Xoxes dhe jugosllavëve, kishin votuar pro propozimeve të Xoxes dhe kundër atyre të Hoxhës. Aq më tepër tash, kur në Byronë Politike kishin hyrë si anëtarë tre të propozuarit nga Xoxe, dy të lëkundurit do të qenë në anën e Xoxes. Tashmë raporti në Byronë Politike ishte shtatë me dy në favor të Xoxes. Hoxha më pas do të shkruante në kujtimet e veta për gjendjen në Byronë Politike pas zgjerimit të vjeshtës së vitit 1946:
Përkrah Koçit ndodheshin gjithmonë Pandi Kristoja e Kristo Themelkoja, kurse përkrah Nakos ishin tre elementë, të cilët pas zgjerimit që i bëmë Byrosë në verën e 1946-s, nuk u pranuan si anëtarë, bile as si kandidatë, por si «tre shokë pranë Byrosë». Këta ishin Liri Belishova, Mehmet Shehu e Fadil Paçrami. Hysni Kapo e Gogo Nushi ishin dy ndër shokët e rinj më të ekuilibruar e më seriozë që u kooptuan në Byro në verën e vitit 1946 e që nuk ranë në grackat e asnjërës palë kundërshtare, por gjykonin e flitnin me pjekuri për problemet që shtroheshin. Sa për Bedri Spahiun e Tuk Jakovën ata, si edhe më parë, nuk luanin ndonjë rol të veçantë, mbanin më shumë qëndrim liberal pajtues.[cxxiii]
Nëse Hoxha do të kishte pasur me vete në atë kohë Kapon e Gogo Nushin, atëherë dilte se kontrollonte Byronë Politike, derisa kishte me vete Spirun dhe Spahiu, shoku i vet i klasës nga Gjirokastra, të cilin Hoxha e quan të lëkundur, do të votonte sigurisht për këtë të fundit, në rast se e shikonte që gjërat vareshin vetëm tek vota e tij. Kështu Hoxha do të kishte në Byronë Politike shumësinë me pesë vota përballë katër të Xoxes. Por e vërteta ishte se Kapo dhe Gogo Nushi qenë njerëzit e Xoxes, të propozuar nga ky i fundit dhe të kundërshtuar nga Hoxha. Gogo Nushi kishte qenë drejtor i Drejtorisë së Agjitacion-Propagandës në Komitetin Qendror dhe Hoxha kishte dashur ta zëvendësonte me Ramiz Alinë. Në lidhje me këtë, Hoxha do të thoshte në mbledhjen e Byrosë Politike në 24 dhjetor 1947, ku bëri autokritikë për bashkëpunimin e tij me Spirun, tashmë të shpallur armik:
Kur erdhi çështja e organizimit të Aparatit të KC (Komiteti Central i PKSH- K.M.), Nakoja kish qëllime të vendoste të rinj si Ramizin (Ramiz Alia- K.M.), Nikon, Fadilin, Qemal Myrselin etj. Unë kam mbërritur të mendoj ashtu, p.sh. Ramizi ta zëvendësonte Gogon (Gogo Nushi- K.M.). Koçi nuk ka qenë dakord për ndryshime të tilla. Ramizi ish element i ri, nuk e krahasonte me Gogon. Edhe unë mendoja si Koçi, mbasi Gogoja ish shok i vjetër, por duke folur Nakoja për dinamizmin e të rinjve, ahere mendoja si ai. U bë si tha Koçi, Manushi dhe Bajrami u vunë në vend të Pandit dhe të Gogos.[cxxiv]
Xoxe e shikonte Gogo Nushin si njeriun e vet, pasi qe ortodoks dhe punëtor. Gogo Nushi ishte i vetëdijshëm se ngritja e tij i dedikohej Xoxes dhe se në anën tjetër Hoxha kishte dashur ta eliminonte. Edhe Kapo ia dedikonte Xoxes ngritjen e vet, prandaj nga Beogradi, ku vazhdonte të ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë deri në fillim të vitit 1948, ia dërgonte Xoxes radiogramet që normalisht duhet t’ i çonte Hoxhës si kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Kështu, procesi i revizionimit të plenumit të Beratit, i inicuar nga Hoxha dhe që synonte të përmbyste raportin në Byronë Politike, përfundoi me një disfatë të re të llojit të Beratit për Hoxhën. Në Byronë politike ishte rritur fuqizuar blloku i Beratit kundër Hoxhës. Madje ishte potencuar dhe një tjetër prirje e vënë re që në Berat, ajo e dominimit të të krishterëve, kryesisht ortodoksë në Byronë Politike. Tashmë, në Byronë Politike kishte gjashtë kristianë dhe tre muslimanë. Nga kristianët, pesë qenë ortodoksë dhe një qe katolik. Xoxe, dhe jugosllavët të cilët qëndronin pas tij, qartësisht e shikonin politikën të lidhur me fenë.
Hoxha kishte pësuar një disfatë të rëndë. Ajo çka e bënte edhe më të hidhur disfatën ishte fakti se jugosllavët kishin luajtur pas shpinës së tij. Xoxe mund ta arrinte këtë sukses vetëm me mbështetjen e jugosllavëve. Këta nga njëra anë i kishin dhënë Hoxhës kartë të bardhë për të vepruar, ndërsa në anën tjetër, pas shpinës së tij kishin mbështetur planin e Xoxes për të marrë kontrollin e plotë mbi Byronë Politike. Nga ato që thotë Hoxha, në mbledhjen e Byrosë Politike, në 24 dhjetor 1947, kuptohet se si qenë tallur jugosllavët me të në procesin e zgjerimit të Byrosë Politike:
Në Byro u shtrua për kandidatë. Përsa i përket Lirisë burrë dhe grua në Byro ishte një gjë që më preokuponte dhe mendoja, po thoshja se si Liria dhe Fadili janë elementë që shkojnë përpara. Përsa i përket Koçit dhe Pandit, këta kanë qenë kundër, por unë u këshillova me Çuvakinin dhe Gjergjan dhe më thanë që mundet. Më vonë, mbasi u pranua, Gjergja më thotë sikur nuk është mirë që të jenë burrë e grua në Byro, kjo nuk ndodh as në Partinë Bolshevike.[cxxv]
Kur Hoxha flet për burrë e grua në Byronë Politike e ka fjalën për Belishovën, e cila ishte gruaja e Spirut. Ministri jugosllav në Tiranë, Josip Gjergja ka pranuar fillimisht propozimin për Belishovën, për ta përdorur më vonë këtë fakt kundër Spirut dhe Hoxhës. Sipas traditës orale, Xoxe kishte thënë ndërsa po hynte në mbledhje: «Tani filluan të na kërkojnë që të futim në Byronë Politike edhe hankot e tyre!» Xoxe aludonte për faktin që Belishova, ishte muslimane- «hanko» quhej gruaja e një muslimani të pasur. Në këtë rast Xoxe shigjetonte Spirun e krishterë për faktin që kishte propozuar për anëtare të Byrosë Politike gruan e tij muslimane. Por aluzioni ishte se në të ardhmen këtë gjë do ta bënte edhe Hoxha.
Fakti që në Byronë Politike hynë ata që propozoi Xoxe dhe nuk hynë ata që propozoi Hoxha do të thoshte se tashmë jugosllavët po hiqnin dorë nga formula e tyre e dy udhëheqësve kryesorë të regjimit që kundërbalancojnë njëri-tjetrin, dhe po mbështesnin njërin prej tyre që të dominonte. E gjithë kjo kishte të bënte me luftën civile që po fillonte në Greqi dhe ku Jugosllavia ishte sponsorja kryesore e guerriljes komuniste. Shqipëria do të përdorej nga jugosllavët si bazë për mbështetjen e guerriljes komuniste në Greqi, dhe për këtë arsye jugosllavët donin që regjimi në Shqipëri të ishte sa më i konsoliduar. Me Koçin Xoxen që kishte kontrollin e Byrosë Politike, përveç pushtetit tjetër që tashmë zotëronte, jugosllavët e quanin të sigurt për ta regjimin në Shqipëri. Revanshi i Hoxhës kishte qenë vetëm një revansh prej «Hermani», pra ashtu si Hermanit iu duk se po luante kombinacionin fitues të letrave, por që pas të cilit fshihej ndëshkimi i Konteshës plakë, edhe Hoxha mendoi se po bënte të njëjtën gjë kur jugosllavët i shprehën besimin e tyre për zgjerimin e Byrosë Politike, por që më pas doli se ky ishte një kurth i ngritur prej tyre për të.
Hoxha mori vetëm një sadisfaksion-lëmoshë në këtë çështje, atë që tre të propozuarit prej Spirut, dhe të mbështetur prej atij, të fitonin statusin e dyshimtë evaziv të tre «shokëve pranë Byrosë Politike». Hoxha dhe Spiru kishin dashur që së paku këta të tre të bëheshin kandidatë të Byrosë Politike, me mendimin që më pas të pranoheshin anëtarë të Byrosë Politike. Edhe këtu Hoxha dhe Spiru u mashtruan nga jugosllavët. Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të 24 dhjetorit 1947, do të thoshte për çështjen e pranimit të kandidatëve të Byrosë Politike në vjeshtën e vitit 1946:
Unë mendova se Mehmeti duhej futur në Byro. Nakoja e priti mirë. Ai mendonte që Mehmeti të drejtonte Partinë në ushtri. Shokët e huaj ishin dakord që Mehmeti të futej si kandidat i Byrosë., ata gjykonin në bazë të paraqitjes që bëja unë. Për Mehmetin e shtruam dhe me Koçin (Koçi Xoxe-K.M) edhe me Pandin (Pandi Kristo-K.M.)… Për Mehmetin Koçi dhe Pandi nuk kanë qenë deri në fund dakord, ashtu edhe për Lirinë dhe Fadilin. Te Tuku (Tuk Jakova-K.M.) pati disa hezitime, por mbasi e këshillova unë, të gjithë ne ishim dakord.[cxxvi]
Nëse shokët e huaj, domethënë jugosllavët dhe sovjetikët qenë dakord që Shehu të bëhej kandidat i Byrosë Politike, atëherë nuk kishte mundësi që Xoxe dhe Pandi Kristo ta kundërshtonin këtë gjë, përveçse në rastin kur Xoxe dhe Kristo qenë inkurajuar fshehtas nga jugosllavët. Aq më tepër kur edhe i lëkunduri Jakova kundërshtoi hyrjen e Shehut në Byronë Politike. Jakova sigurisht që kishte llogari të vjetra me Shehun që nga koha kur të dy kishin qenë drejtues të Brigadës I partizane, por Jakova nuk do të guxonte të sillej kështu nëse do ta dinte që jugosllavët qenë vërtet dakord që Shehu të bëhej kandidat i Byrosë Politike. Pasi Hoxha tha fjalët e mësipërme, Xoxe ndërhyn dhe thotë për Shehun:
Unë kam thënë haptazi para Byrosë se me qenë se shumica vendos dhe mbërriti çështja me shumicë, nuk bëra zë, por nuk kam qenë dakord.[cxxvii]
Xoxe këtu qartësisht tallet. Ajo çka Xoxe e quan nënshtrim ndaj shumicës, është një fiksion. Xoxe, pasi siguroi pranimin në Byronë Politike si anëtarë të tre njerëzve që propozoi klani i tij, dhe ia doli që tre emrat që pranoi klani kundërshtar të mos pranohen si anëtarë, madje as si kandidatë, tash e quan si nënshtrim ndaj shumicës faktin që tre emrat e propozuar nga pala tjetër, morën statusin evaziv të «tre shokëve pranë Byrosë Politike», me të cilin nuk kishin të drejtën e votës. Nuk dihej se ku ishte gjetur ky status se partia ende nuk kishte statut. Komiteti Qendror, forum i të cilit ishte Byroja Politike, as që u pyet fare për të gjitha këto lëvizje shumë të rëndësishme. Nëse gjatë luftës mosmbledhja e Komitetit Qendror, i cili kishte kompetencën për të bërë këto lëvizje, u justifikua me situatën e pafavorshme, tashmë nuk mund të kishte asnjë justifikim të tillë, për atë që këto çështje kaq të rëndësishme zgjidheshin brenda klikës. Tashmë që Hoxha humbi betejën për kontrollin e Byrosë Politike, ai e kishte humbur paraprakisht edhe atë për kontrollin e Komitetit Qendror, se në piramidën partiake ishte Byroja Politike ajo që i propozonte plenumit të Komitetit Qendror emrat që do të pranoheshin si anëtarë të tij.
7.
Paradoksi i ultrakolaboracionistit: mbimilitarizimi i vendit
Fillimi i luftës civile në Greqi, në të cilën Shqipëria u implikua thellësisht e detyruar nga Jugosllavia, duke shërbyer si bazë e guerriljes komuniste greke, shënoi për Shqipërinë dhe fillimin e mbimilitarizimit të vendit, në një shkallë të paparë deri më atëherë, gjë që do të vazhdonte, me një interval derisa të ekzistonte regjimi. Mbimilitarizimi i vendit u bë me shtytjen e jugosllavëve, të cilët gjithashtu në atë kohë e kishin rritur ushtrinë e tyre, për shkak të aventurës që kishin ndërmarrë në Greqi. Nga shifrat që jep Hoxha në një letër që i shkruan Titos në dhjetor 1946 del se në gusht 1946 ushtria shqiptare përbëhej nga 32002 veta, duke përfshirë këtu dhe Divizionin e Mbrojtjes së Popullit (forca speciale e Sigurimit të Shtetit), i cili përbëhej nga 8710 veta. Në gusht 1946, me rastin e fillimit të luftës civile në Greqi u mobilizuan 9513 rezervistë, çka do të thoshte se ushtria u rrit me 30% të numrit të saj. Dy muaj më vonë, në tetor u mobilizuan edhe 2500 rezervistë të tjerë, çka do të thoshte se brenda dy muajve ushtria u rrit me 38% të numrit të saj.[cxxviii] Ajo që të bën përshtypje tek mbimilitarizimi i vendit në vitet 1946-1948, është se ai u bë në kohën që zbatohej agjenda jugosllave [ër aneksimin e Shqipërisë dhe regjimi shqiptar kishte marrë të gjitha atributet e regjimit kolaboracionist të pushtuesit. Zakonisht pushtuesi nuk i lejon këtij lloj regjimi që të mbajë forca të mëdha ushtarake. Fakti që në rastin shqiptar ishte e kundërta, dëshmon se sa shumë besim kishin jugosllavët tek Enver Hoxha, Xoxe dhe udhëheqësit e tjerë në Tiranë se do të bënin me zell e bindje kolaboracionistin projugosllav.
Mbimilitarizimi i vendit në verën e vitit 1946 nuk u bë se perceptohej si rrezik ushtria qeveritare greke, e cila në atë kohë dhe vite më vonë, ishte e okupuar në luftën me guerriljen komuniste në vend, prandaj nuk mund të ndërmerrte një sulm ndaj Shqipërisë. Regjimi i Hoxhës dhe jugosllavët, të cilët qëndronin pas tij, trembeshin se, për shkak të mbështetjes që i jepnin guerriljes komuniste greke, do të pësonin një sulm ndëshkimor britanik dhe ndoshta edhe amerikan, që do të çonte në përmbysjen e regjimit. Por Enver Hoxha u tremb edhe nga pasojat e shumëanëshme të këtij militarizimi të vendit. Në letrën që Hoxha i çon Titos në dhjetor 1946, i ankohet se Shqipëria nuk është më në gjendje që të përballojë shpenzimet për mbajtjen e ushtrisë në përmasa të tilla:
Një problem tjetër i një rëndësie të dorës së parë na shtrohet para nesh, kurdoherë në lidhje me Ushtrinë tonë Kombëtare: dhe ky është mbajtja e Ushtrisë sonë Kombëtare me një efektiv prej 42.000 vetash. Sikundër e dini edhe ju, një ushtri të tillë prej 42.000 vetash shteti ynë nuk është në gjendje ta mbajë ekonomikisht. Në projektbuxhetin e vitit 1947 vetëm për nëntë muaj janë parashikuar 112.000.000 franga ari. Në këtë shumë nuk përfshihen armatimi, pjesa më e madhe e veshmbathjes, transporti dhe disa pajime të tjera të ushtrisë. Por dhe kjo shumë prej 112.000.000 fr. ari do të jetë e pamundur që t’ i jepet ushtrisë pa prekur pjesën e buxhetit që do të parashikohet për realizimin e planit të përbashkët ekonomik.[cxxix]
Hoxha këtu qartësisht shpreh frikën se mbimilitarizimi do të ishte pesha shtesë mbi shoqërinë shqiptare që do të çonte në shembjen e regjimit, që kështu do të falimentonte. Tito iu përgjigj Hoxhës në janar 1947, duke i thënë se:
Përsa i takon situatës së sotme ndërkombëtare ajo është, si për Shqipërinë, ashtu dhe për Jugosllavinë e atillë që kërkon përpjekjet tona maksimale për ruajtjen e fuqisë mbrojtëse të vendeve tona, d.m.th. për mbajtjen e forcave të konsiderueshme ushtarake në gjendje gatishmërie.[cxxx]
Që e gjithë kjo ka të bëjë me luftën në Greqi, kuptohet kur Tito i thotë Hoxhës se:
Unë e kuptoj që për vendin tuaj kjo do të jetë e vështirë, por të paktën edhe këtë vit do të na duhet të durojmë derisa të bëhet paqja.[cxxxi]
Paqja që priste Tito të bëhet ishte përfundimi i luftës civile në Greqi ku Tito pret fitoren e komunistëve brenda vitit 1947, ose së paku kërkon ta bëjë Hoxhën që të besojë kështu, për t’ i dhënë kurajë. Sigurisht që Jugosllavia nuk e shikonte rrezikun tek një sulm grek ndaj saj dhe Shqipërisë, se ky në atë kohë as që mund të mendohej, pasi do të ishte vetëvrasje për ushtrinë qeveritare greke, por tek një sulm britanik, e ndoshta edhe amerikan, që do të vinte si ndëshkim për mbështetjen që Jugosllavia i jepte guerriljes komuniste në Greqi. Perspektiva e një ndërhyrjeje amerikane në rast se guerrilja komuniste në Greqi do të kishte sukses, ishte ajo që e shqetësonte Stalinin. Milovan Gjilas shkruan në librin e vet «Biseda me Stalinin», për një bisedë që disa udhëheqës jugosllavë patën me Stalinin në Moskë, në shkurt 1948:
Pastaj Stalini kalon te kryengritja në Greqi:
-Duhet mbyllur puna e kryengritjes në Greqi. A besoni ju, -iu drejtua Kardelit,- se kryengritja në Greqi mund të ketë sukses?
Kardeli i përgjigjet:
-Në qoftë se nuk pranohet ndërhyrja e huaj dhe në qoftë se…
Por Stalini vazhdon pa u kushtuar aq rëndësi fjalëve të Kardelit:
-Në qoftë se, në qoftë se! Ata nuk kanë kurrfarë shansi për të fituar! Ç’ kujtoni ju se Britania e Madhe dhe SHBA- SHBA, shteti më i fuqishëm i botës- do të lejojnë që të ndërpriten arteriet e transportit në Mesdhe! Përralla! Kurse ne nuk kemi flotë. Nga kryengritja në Greqi duhet hequr dorë sa më shpejt.[cxxxii]
Stalini ishte kundër kryengritjes komuniste greke se mendonte që aventura jugosllave do të sillte ushtrinë amerikane në Ballkan, jo vetëm në Greqi, por edhe në Jugosllavi. Për Stalinin kjo do të thoshte një presion nga Jugu ndaj zonës së tij të influencës në Ballkan, të cilën ai e shikonte si një zonë-tampon për të mbrojtur kufijtë sovjetikë nga jugperëndimi. Jugosllavët nga ana e tyre e perceptonin si një tradhti mungesën e dëshirës së Moskës për t’ i mbështetur në aventurën e tyre në Greqi, me sasi të mëdha armatimesh dhe sendesh të tjera, të cilat ata më pas do t’ ua kalonin partizanëve komunistë grekë. Duket se në Beograd nuk e kuptonin se ishte pikërisht suksesi i guerriljes komuniste në Greqi, ajo çka e shqetësonte Moskën. Nëse Jugosllavia kishte për aventurën në Greqi interesa konkrete territoriale, të cilët i shprehu publikisht (sigurisht pa e pranuar implikimin në luftën civile në Greqi), regjimi i Hoxhës nuk shprehu kurrë asgjë të tillë. Është domethënëse që në kohën që Jugosllavia shprehte rivendikime territoriale ndaj Greqisë, regjimi i Hoxhës nuk bënte asgjë të tillë, edhe pse Greqia shprehte me të madhe rivendikime territoriale ndaj Shqipërisë në atë kohë.
Mbimilitarizimi i vendit do të rritej në Shqipëri gjatë vitit 1947, me nxitjen e jugosllavëve. Në një raport që i çonin Beogradit të dërguarit jugosllavë në Tiranë, në 5 shkurt 1948, për ushtrinë shqiptare, thuhej:
Në uniformë ajo ka rreth 80 mijë veta të cilët janë rreshtuar në tre divizione të zakonshme të tipit jugosllav dhe një divizion i tipit popullor-KNOJ (Mbrojtjes Jugosllave të Popullit).[cxxxiii]
Gjithashtu në këtë raport thuhet:
Veç këtyre katër divizioneve këmbësorie ka dhe tre brigada artilerie.[cxxxiv]
Pra, ushtria shqiptare është dyfishuar gjatë vitit 1947, në krahasim me dhjetorin e vitit 1946, kur Hoxha i ankohej Titos se nuk mund të përballohej kostoja e mbajtjes së ushtrisë në këto shifra. Ndërsa në krahasim me gushtin e vitit 1946, kur filloi mbimilitarizimi, ushtria shqiptare ishte rritur dy herë e gjysmë. Mund të merren me mend lehtë pasojat në ekonominë e vendit të këtij mbimilitarizimi, nën dritën e e atyre që shkruan Hoxha në letrën për Titon në dhjetor 1946. Mbimilitarizimi i vendit nuk u solli rritjen e teknikës ushtarake, me tanke, aeroplanë, topa, automjete. Ushtria shqiptare mbetej një ushtri primitive, e cila nuk kishte tanke, aeroplanë, artileria e saj përbëhej vetëm nga armë të mbetura në vend nga Lufta e Dytë Botërore. Ajo kishte një numër të vogël automjetesh dhe siç del nga raporti jugosllav asnjë repart të mekanizuar. Jugosllavia nuk kishte mundësi ta pajiste ushtrinë shqiptare me teknikë ushtarake, madje edhe po të kishte mundësi, vështirë se do të donte ta bënte këtë gjë. Nuk përjashtohet mundësia që jugosllavët ta shikonin mbimilitarizimin në Shqipëri, të kryer vetëm me shtimin e forcave të këmbësorisë të pajisura keq, si një mënyrë për të bërë spastrim etnik të meshkujve shqiptarë, në rast të një lufte me Greqinë, kur ushtria shqiptare do të hidhej si mish për top në sulm, nën breshëritë e artilerisë e mitralozave grekë. Mbimilitarizimi u shoqërua dhe me shtimin e madh të ushtarakëve jugosllavë në Shqipëri, të dërguar si instruktorë pranë ushtrisë shqiptare. Sipas raportit jugosllav të 5 shkurtit 1948, të përmendur më lart, në këtë kohë në Shqipëri:
Në ushtri ndodhen 3000 specialistë rusë dhe jugosllavë.[cxxxv]
Meqënëse numri i specialistëve ushtarakë sovjetikë në Shqipëri ishte shumë i pakët dhe mund të llogaritej me gishtat e duarve, del se thuajse të 3000 këshilltarët ushtarakë të cilët qenë në Shqipëri, në atë kohë, ishin jugosllavë. Kjo do të thotë se në Shqipëri në atë kohë kishte praktikisht një brigadë ushtarake jugosllave, pra Shqipëria ishte praktikisht e okupuar ushtarakisht nga Jugosllavia. Prezenca ushtarake jugosllave në Shqipëri, në shkurt 1948, ishte sa 10% e numrit të ushtrisë shqiptare në gusht 1946, para se të fillonte mbimilitarizimi i vendit.
Në Shqipëri, mbimilitarizimi i vendit në 1946 u shoqërua në mënyrë të pashmangshme, organike, me një fushatë të re represioni. Kjo pajtohej me personalitetin dualist të Hoxhës, ku sa më i pasigurt dhe i trembur ndihej «Hermani», aq më i egër dhe ekstremist bëhej “Tarasi”. Në kohën që vazhdonte lufta për pushtet në elitën e regjimit, nuk ishte harruar asfare lufta kundër popullit, madje pikërisht në 1946 filloi edhe një spastrim i madh në parti. Më pas do të akuzohej Xoxe se e kishte vënë partinë nën kontrollin policor të Sigurimit të Shtetit, por e vërteta është se spastrimi i madh i partisë në vitin 1946, do të quhej i drejtë edhe në vitin 1981, mbi tre dekada pas dënimit të Xoxes. Historiografia zyrtare e regjimit komunist do të shkruante për këtë çështje:
Për jetën e brendshme të Partisë një rëndësi të posaçme patën spastrimi i rradhëve të saj (revizioni), që u krye gjatë vitit 1946, dhe shpërndarja e teserave. Në përfundim të revizionit u përjashtuan nga Partia 1246 vetë, që përbënin 10% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve dhe kandidatëve.[cxxxvi]
I përjashtuari nga partia quhej i deklasuar dhe më pas ishte në shënjestër për luftën e klasave, domethënë se përfundonte në burg ose në internim. Në ndërkohë në vend vazhdonin njëri pas tjetrit operacionet ushtarake kundër popullsisë, i pari nga të cilët qe shpallur që në janar 1945. Xoxe, kur ishte i arrestuar, do t’ i pohonte ato në 1949 gjatë hetimeve, por pa munguar të saktësonte se gjithçka qe bërë me urdhër të Hoxhës:
Rrahje, tortura dhe pushkatime të shumta janë bërë në tetor- nëntor 1946 në Shqipërinë e Veriut në operacionet e zhvilluara për çarmatimin, me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm (Enver Hoxhës).[cxxxvii]
Terrori masiv i regjimit shkaktoi revolta popullore, të cilat u shtypën në mënyrë shumë të dhunshme. Në akt-akuzën e paraqitur nga Prokurori në gjyqin ndaj Xoxes dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme, u tha:
Me rastin e kryengritjes së Shkodrës në shtator 1946 u arrestuan më se 300 veta, 150 prej tyre janë vrarë pa gjyq.[cxxxviii]
Në fakt, në vjeshtën e vitit 1946, regjimi mund të ishte shembur fare lehtë nga këto revolta se tashmë ai ishte armiqësuar me të gjithë popullsinë e vendit, përveç burokracisë së tij, dhe pretorianëve të tij të policisë sekrete e ushtrisë. Kryengritja në Shkodër do të ishte zgjeruar në gjithë Shqipërinë e Veriut, të cilën vetë regjimi i Hoxhës e kishte shpallur vatër të reaksionit, dhe do të ishte shndërruar në marshim drejt Tiranës, sikur të mos kishte qenë ndërhyrja e forcave ushtarake jugosllave, të cilat u ranë kryengritësve nga pas shpine në Kukës. Në një raport të UDB për këto ngjarje shkruhet:
Në gjysmën e dytë të vitit 1946 pati një përpjekje për kryengritje, me ç’ rast u organizua sulmi në Shkodër, ku kryengritësit arritën të merrnin një paralagje të saj. Me atë rast u konfiskuan disa kamionë afër Milotit. Kryengritja nuk mori përmasa të mëdha në sajë të intervenimit tonë, kur penguam Muharrem Bajraktarin që të sulmonte Kukësin. Pas shuarjes së kryengritjes filluan burgosjet masive në Shkodër dhe në Tiranë. U zbuluan dhe u burgosën shumë anëtarë të organizatës së Nacionalistëve, e cila organizoi kryengritjen. Vetëm në Shkodër u burgosën 500 persona.[cxxxix]
Ndërhyrja ushtarake jugosllave duket se ka qenë vërtet vendimtare për të shpëtuar regjimin e Hoxhës në atë kohë. Nëse Muharrem Bajraktari do të kishte marrë Kukësin, ai me forcat që do të mobilizonte do të kishte marshuar drejt Shkodrës, e cila do të kishte rënë. Në Mirditë dhe Pukë forcat antikomuniste qenë shumë të forta dhe kur të shikonin se kishte rënë Shkodra, dhe se forcat që e kishin marrë atë po marshonin drejt Tiranës, do të bashkoheshin me to, duke mobilizuar edhe shumë mbështetës të tjerë. Brenda disa ditësh kryengritësit nga gjithë Shqipëria e Veriut do të gjendeshin në hyrje të Tiranës, ku regjimi nuk ishte aspak i sigurt në një situatë të tillë, se edhe në Shqipërinë e Mesme kishte jo pak forca antikomuniste, të cilat do të arrinin të mobilizonin shumë mbështetës, me të cilët do të rrethonin Tiranën. Regjimi do të shpërbëhej dhe krerët e tij në rastin më të mirë do të arratiseshin në Jugosllavi. Nga kjo perspektivë regjimin e shpëtoi ndërhyrja ushtarake jugosllave. Të tjerat regjimi mund t’ i bënte vetë. Në procesin hetimor të Xoxes zhvillohet ky dialog mes Prokurorit, Spahiut, dhe të pandehurit Xoxe, për terrorin masiv në vend:
Pyetje: A kujton se qeveria, Byroja dhe Komiteti Central, po t’ i dinin vrasjet që janë bërë, torturat e tmerrshme që janë bërë, djegiet e shtëpive që janë bërë, arbitraritetin dhe shkeljet e ligjeve, do t’ i lejonin këto gjëra?
Përgjigje: Unë kam raportuar në Byro të gjitha sa më janë njoftuar nga vartësit e mi në Ministrinë e Brendshme. Të gjitha ia kam thënë Sekretarit të Përgjithshëm dhe një pjesë Byrosë.[cxl]
Prokurori që pyeste, Spahiu, ishte vetë anëtar i Byrosë Politike. Ai nuk solli ndonjë dokument që të provonte se Hoxha kishte pasur ndonjë vërejtje për këto gjëra në kohën kur ndodhnin. Në këtë fushatë terrrori regjimi gjente rastin që të eliminonte edhe njerëzit e papëlqyer nga radhët e veta. Në akt-akuzën e paraqitur nga Prokurori në gjyqin ndaj Xoxes dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme, u tha:
Një kapiten i Mbrojtjes së Popullit që ka qenë edhe anëtar partie është vrarë prapa shpine e pastaj është dekoruar, gjoja sikur u vra në ndjekje të arratisurve.[cxli]
Por në nëntë volumet e serialit «Heronj të heshtur», me «dëshmorët» e regjimit pas vitit 1944, të botuara të gjitha pas dënimit të Xoxes, nuk tregohet për këtë njeri, çka do të thotë se vazhdonte të mbetej në fuqi kjo gënjeshtër dhe të tjera si ajo, edhe pasi Hoxha ia ngarkoi të gjitha përgjegjësitë Xoxes për atë që ndodhi në vitet 1944-48, në vend.
Vjeshta e vitit 1946 do të ishte sezoni më i vështirë për Hoxhën që nga koha kur kishte ardhur në pushtet, në të dy aspektet, si atë personal ashtu dhe për regjimin e vet. Në vjeshtën e vitit 1946, jo vetëm që autoriteti i Hoxhës si kreu i regjimit kishte marrë një goditje fatale, por regjimi i tij u gjend praktikisht në luftë me Britaninë e Madhe, për shkak të atij që mund të quhet si “Pearl Harbour” shqiptaro-britanik në Kanalin e Korfuzit, në tetor 1946. Pas Luftës II Botërore, duke qenë se edhe Jugosllavia u bë një vend komunist, ashtu si Shqipëria, vendi jonë, në sajë të komunistëve shqiptarë, për herë të parë në historinë e vet, u gjend në aleancë me botën sllavo-ortodokse, ruso-serbe, si dhe kundër vendeve anglo-saksone, të cilat qenë në krye të botës kapitaliste. Armiqësimi i Shqipërisë me vendet anglo-saksone pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të regjimit komunist shqiptar, ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e kombit shqiptar pas pushtimit osman të Shqipërisë, në shekullin XV. Pasojat imediate dhe afatgjata të këtij armiqësimi qenë tejet të rënda. Shqipëria nuk përfitoi ndihmat e mëdha të gjithanshme perëndimore, duke përfshirë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, ashtu si fqinja e saj kapitaliste Greqia, apo edhe si Jugosllavia e Titos pas vitit 1948.
Por armiqësia ideologjike e regjimit ndaj vendeve anglo-saksone nuk do të thoshte aspak se regjimi komunist shqiptar dhe Jugosllavia e cila qëndronte pas tij donin që të hynin në një luftë me fuqitë anglo-saksone, më saktë me Britaninë e Madhe, e cila ishte shumë aktive në Ballkan në atë kohë. Regjimi komunist shqiptar dhe protektorët e tij jugosllavë e dinin se një luftë me Britaninë e Madhe, pas së cilës gjithsesi qëndronin SHBA, do të thoshte fundi i regjimit komunist në Shqipëri. Jugosllavët e dinin se në këtë luftë nuk do të kishin mbështetjen e Bashkimit Sovjetik-këtë gjë ua kishte thënë vetë Stalini-prandaj jugosllavët nuk donin aspak që të ndodhte një luftë e tillë, përfundimi i së cilës do të ishte që ata ta humbnin Shqipërinë. Kështu që jugosllavët e këshillonin regjimin e Hoxhës që t’ i normalizonte marrëdhëniet me fuqitë anglo-saksone. Kapo, ministri fuqiplotë shqiptar në Beograd, në 21 prill 1946 i bën radiogram Tiranës nga Beogradi:
Në bisedimet që bëra me Kardelin më tha se interesi i Shqipërisë është që të jenë të stabilizuara marëdhëniet diplomatike me anglo-amerikanët para se të bëhet Traktati i Paqes. Për kërkesat e tyre duhet studiuar se ç’ mund të jepen në mënyrë që të mos cënojnë interesin e vendit dhe të shikohet që përfitimi të jetë i gjithanshëm dhe i madh për ne. Është më mirë që të bëhen manovrime se sa të mbahet një qëndrim i prerë frontal studimi. Kardeli dëshiron të ketë kopjen e akordit të nënshkruar nga regjimi i Zogut dhe amerikanët si dhe tekstin e letrës së qeverisë angleze për heqjen e mandatit.[cxlii]
Por marrëdhëniet e regjimit komunist shqiptar me fuqitë anglo-saksone dhe sidomos me Britaninë e Madhe, do të tensionoheshin për shkak se regjimi komunist shqiptar u implikua, nën influencën e jugosllavëve, në luftën civile në Greqi, duke mbështetur komunistët grekë. Lufta civile në Greqi për të cilën thuhej se komunistët grekë e nisën me nxitjen dhe mbështetjen e Stalinit, në fakt u nxit dhe u sponsorua nga jugosllavët, të cilët donin që me fitoren e komunizmit në Greqi të përfitonin Maqedoninë e Egjeut, një territor grek i banuar nga sllavë dhe që rivendikohej nga Jugosllavia.
Në korrik 1946 qeveria greke, për herë të parë protestoi zyrtarisht për sulmet e armatosura me prejardhje nga territori shqiptar, të rebelëve komunistë grekë ndaj pozitave të ushtrisë greke, si dhe për goditjen e anijeve greke në Kanalin e Korfuzit nga rebelët komunistë grekë me bazë në Shqipëri. Prandaj luftanijet britanike patrullonin Kanalin e Korfuzit për të ndaluar zbarkimin e rebelëve komunistë me bazë në Shqipëri, në Korfuz dhe në ishujt grekë përreth. (Në atë kohë në Greqi kishte dy divizione britanike.) Në këto rrethana ndodhi ai që historiografia e regjimit komunist do ta quante «Incidenti i Kanalit të Korfuzit», por që në fakt ishte një akt terrorist ndaj Britanisë së Madhe. Në 22 tetor 1946 një skuadër luftanijesh britanike ndeshi në mina në Kanalin e Korfuzit dhe si pasojë e shpërthimeve u vranë 44 ushtarakë britanikë dhe u lënduan 42 të tjerë. Britania e Madhe akuzoi Shqipërinë për vendosjen e minave, çka do të thotë se indirekt akuzoi Jugosllavinë, si përgjegjëse për veprimet e Shqipërisë. Është e vërtetë se nga arkivat del se gjatë krizës shqiptaro-britanike të vjeshtës 1946, të shkaktuar nga atentati ndaj anijeve britanike në Kanalin e Korfuzit, del se Tirana të gjitha reagimet i ka bërë sipas urdhrave që vinin nga Beogradi.
Një gjë që të bën përshtypje gjatë krizës shqiptaro-britanike të vjeshtës 1946 pas atentatit në Kanalin e Korfuzit është fakti se Tito, edhe pse ishte kryeministër, qëndroi jashtë komunikimit intensiv mes dy qeverive, asaj shqiptare dhe jugosllave për këtë çështje. Komunikimet mes Tiranës dhe Beogradit për krizën deri edhe për reagimet diplomatike, u bënë mes dy ministrave të Punëve të Brendshme, Xoxes dhe Aleksandër Rankoviçit. Në 23 tetor 1946, një ditë pas incidentit në Kanalin e Korfuzit, Beogradin e njofton Xoxe me radiogram, duke ia drejtuar njoftimin homologut të vet Rankoviç.[cxliii]
Kur normalisht duhet të ishte Hoxha që duhej të njoftonte Titon, si kryeministri kryeministrin, apo edhe si ministri i mbrojtjes ministrin e mbrojtjes. Por duket se Tito ia ka ndaluar Hoxhës komunikimin me të për këtë çështje. Që jugosllavët nuk e kishin dashur incidentin dhe aq më pak shkallëzimin e krizës, kjo kuptohet nga kumti që Rankoviç i çon në 26 tetor Tiranës, sigurisht edhe në emër të Titos. Rankoviç i drejtohet Xoxes jo drejtpërdrejt, por tërthorazi nëpërmjet diplomatit shqiptar në Beograd, Shpend Degës i cili i përcjell Xoxes fjalët e Rankoviçit:
Për gjeneral Koçi Xoxen:
Sot më thirri gjeneral Rankoviçi. Më së pari, më pyeti: «A ka ardhur ndonjë telegram tjetër? A i kanë bërë bërë protestat? Ju mos qëlloni në vaporët anglezë, vetëm shënoni mirë të gjitha veprimet e tyre, lëvizjet dhe mënyrat e provokimeve».[cxliv]
Siç shihet Beogradi këshillon përmbajtje. Nuk duket asfare e besueshme që minat në Kanalin e Korfuzit t’ i kenë vënë jugosllavët (sovjetikët përjashtohen kategorikisht, qoftë edhe si nxitës). Se tekefundit çfarë do të përfitonin jugosllavët nga një atentat i këtij lloji ndaj Britanisë së Madhe? Pasoja imediate e tij do të ishte invadimi i Shqipërisë nga britanikët, gjë të cilën jugosllavët sigurisht që nuk e donin, pasi në këtë rast do t’ u duhej të luftonin kundër britanikëve, nëse donin që Shqipëria të mbetej nën kontrollin e tyre. Sigurisht që në Beograd nuk e donin një luftë me Britaninë e Madhe pas së cilës gjithsesi qëndronin SHBA. Vendi që përfitonte prej pasojave që mund të vinin nga atentati ndaj anijeve britanike ishte Greqia. Pasoja më e mundshme e atentatit do të ishte invadimi britanik i Shqipërisë, gjë për të cilën kishte interes Greqia, madje një interes të dyfishtë. E para në këtë rrethanë do të merrte fund përdorimi i Shqipërisë si bazë nga ana e guerriljes komuniste greke, dhe e dyta do të krijohej rrethana e përshtatshme që të zbatohej vendimi i Konferencës së Paqes në Paris, i shtatorit 1946, që të rishikohej kufiri greko-shqiptar, në favor të Greqisë. Këto përfitime qenë aq të mëdha për Greqinë, saqë për to nuk do të ndalej para një atentati ndaj anijeve britanike, që do t’ u kushtonte jetën dhjetëra marinarëve britanikë. Mbetja e Shqipërisë jashtë sistemit ndërkombëtar të sigurisë (OKB) po bëhej një situatë shumë joshëse për Greqinë që të realizonte synimet e saj të vjetra ndaj Shqipërisë.
Kur shqyrton krizën shqiptaro-britanike të vjeshtës 1946, të shkaktuar nga atentati në Kanalin e Korfuzit, të bën përshtypje fakti se qeveria shqiptare, në çdo veprim që bën, thjesht zbaton urdhrat që vijnë nga Beogradi. Kjo shpjegon dhe faktin se, megjithëse qeveria shqiptare pretendoi se anijet britanike kishin hyrë në ujrat territoriale shqiptare, nuk bëri protestë imediate për këtë gjë. Jugosllavët menduan se britanikët nuk do të bënin zhurmë për ngjarjen, meqënëse ajo kishte ndodhur në ujërat territoriale shqiptare. Prandaj ata nuk i dhanë urdhër Tiranës që të bënte protestë imediate për ngjarjen. Por kur qeveria britanike, në 27 tetor 1946, i çoi një notë ultimatimative asaj shqiptare për incidentin, nga Beogradi erdhën për Tiranën instruksione të tjera, në 28 tetor 1946, me anë të një radiogrami në të cilin Shpend Deg i përcjell Xoxes fjalët e Rankoviçit, që ishin sigurisht edhe të Titos:
Gjen. Koçi Xoxes
Gjegje radiogramit tuaj Nr. Extra D. 27/10/1946.
Rankoviçit i dorëzova radiogramin tuaj bashkë me notën që i dorëzoi Legatës sonë Ambasada Angleze në Beograd për çështjen e vaporëve anglezë. Rankoviçi tha tamam ashtu si mendoni ju, domethënë, në qoftë se drejtohen për të hyrë në portin tonë, dakord me i qëllue, por në qoftë se kanë drejtime të tjera pa iu drejtue portit tonë të mos qëllohen dhe është mirë të heshtet. Por mbasi lexoi dhe notën e qeverisë angleze që ia dërgonte qeverisë sonë në lidhje me katër vaporët, atëherë tha: «Çështja ka marrë pamje tjetër» dhe thirri në telefon Titon. Rankoviçi i tha Titos kështu: «Qeveria angleze i ka dërguar një notë qeverisë shqiptare për çështjen e katër vaporëve dhe e vë në dijeni, pa i kërkue lejë, se do të shkojë me pastrue ujërat shqiptare nga minat e vjetra. Tito tha: 'Nuk kanë të drejtë. Qeveria shqiptare ta bëjë protestën, ku të theksojë se masat e përgatitjes së minave do të përgatitet t’ i bëjë vetë qeveria shqiptare». Rankoviçi pastaj më tha: Shko në drejtorinë e Sigurimit te kolonel Miliçi që të përkthehet nota nga anglishtja në jugosllavishten.[cxlv]
Jugosllavët e dinin se, nëse anijet britanike drejtoheshin në portet shqiptare, kjo do të thoshte se britanikët po zbarkonin në Shqipëri. Në këtë rast jugosllavët e kuptonin se e kishin të humbur Shqipërinë, dhe me sa duket nuk kishin ndërmend që të luftonin me britanikët për të. Por jugosllavët nuk humbnin gjë nëse i përdornin shqiptarët si mish për top në një luftë me britanikët, për të verifikuar vendosmërinë e këtyre të fundit. Në rast se anijet britanike do të tërhiqeshin mbrapsht, kur të qëlloheshin, aq më mirë për jugosllavët, nëse jo, Shqipëria do të ishte njëlloj e humbur për ta. Por, pasi Rankoviçi njihet me notën e ashpër të qeverisë britanike për atë shqiptare, mendon se vërtet Britania e Madhe është në prag të invadimit të Shqipërisë. Këtë kuptim kanë fjalët që tha Rankoviçi pasi u njoh me notën britanike për qeverinë shqiptare: «Çështja ka marrë pamje tjetër». Rankoviç, i cili me profesion kishte qenë rrobaqepës fshati, e kuptoi se britanikët, tash qenë të vendosur që, me shkakun më të vogël, t’ u bënin tegel me kanonada. Në këtë rrethanë të re, pasi Rankoviç bisedoi me Titon, nuk këshilloi më që të qëllohet ndaj anijeve britanike.
Në gjithë këtë histori, jugosllavët i kishin lënë Hoxhës një rol jo shumë larg atij të telegrafistit që do të niste tekstet e tyre. Hoxha as që u konsultua për krizën. Hoxhës sigurisht që nuk i vinte mirë që i merrte njoftimet e Titos nëpërmjet Xoxes. Tito i drejtohej Hoxhës me anë të Rankoviçit, i cili ia komunikonte Xoxes fjalët e veta dhe të Titos, me anë të Shpend Degës, për t’ ia komunikuar Xoxe ato edhe Hoxhës. Merret vesh, Tito dhe Rankoviçi, veç të tjerash, nuk kishin asnjë dëshirë të përziheshin në këtë histori. Ata e dinin mirë se britanikët përgjonin komunikimet mes Beogradit dhe Tiranës e anasjelltas dhe nuk donin të linin gjurmë të implikimit të tyre. Sa për ato që thuheshin në radiogramet e Shpend Degës, nesër mund t’ i mohonin si rrena. Vetëm në 28 tetor 1946, gjashtë ditë pas ngjarjes, Hoxha mori leje që të bënte një protestë për ngjarjen. Megjithatë protesta u bë dy ditë më pas, në 30 tetor, me sa duket se teksti është çuar në Beograd për miratim. Hoxha në 30 tetor do t’ i çonte një telegram proteste sekretarit të përgjithshëm të OKB, Trygve Li, për ngjarjen e 22 tetorit.[cxlvi] Po në 30 tetor 1946 Hoxha i çoi një telegram tjetër sekretarit të përgjithshëm të OKB, Trygve Li, ku proteston për sulmet e ushtrisë greke në kufirin shqiptaro-grek:
Provokacionet e kurdisura nga monarko-fashistët grekë dhe bandat e tyre të rregullta, po vazhdojnë të bëhen më të dendura gjatë kufirit tonë të Jugut.[cxlvii]
Me këtë Tirana donte të kundërbalanconte protestën britanike, si dhe protestat e mëparshme greke për atë se Shqipëria ishte bërë një bazë mbështetëse për guerrilasit komunistë grekë. Hoxha në këtë telegram i quajti sulmet e ushtrisë greke në kufirin shqiptaro-grek si akte «që përbëjnë me sigurinë më të madhe një rrezik serioz për paqen në Ballkan dhe në botë».[cxlviii] Kjo donte të thoshte se, meqënëse Shqipëria kishte një aleancë me Jugosllavinë dhe kjo, nga ana e saj, kishte një aleancë me Bashkimin Sovjetik, atëherë do të shpërthente lufta botërore nga incidentet në kufirin shqiptaro-grek! Një gjë qesharake kjo po të mendosh se çka u kishte thënë Stalini jugosllavëve që në janar 1945 për kotësinë e një lufte për të mbrojtur Shqipërinë. Britanikët nuk mund të mos e dinin se ato çka thoshte Hoxha qenë rrena prej komediani. Nëse britanikët do ta kishin invaduar Shqipërinë në vjeshtën e vitit 1946, ata nuk do të qenë përballur as me ushtrinë jugosllave, dhe jo më me atë sovjetike. Jugosllavia kishte një traktat aleance ushtarake me Bashkimin Sovjetik dhe nuk mund të hynte në luftë me Britaninë e Madhe, pa marrë mendimin e Bashkimit Sovjetik, i cili sigurisht që do të ishte kategorikisht kundër që të jepte çfardo lloj ndihme në një rast të tillë. Kështu, nëse Britania e Madhe do të kishte invaduar Shqipërinë, në vjeshtën e vitit 1946, ajo do të ishte përballur vetëm me ushtrinë shumë të dobët të regjimit, e cila nuk mund të bënte asgjë që të ngjante me një rezistencë serioze. Pikërisht disa javë pas atentatit në Kanalin e Korfuzit, në dhjetor 1946, Hoxha i dërgon një informacion Titos për ushtrinë shqiptare, duke i kërkuar dhe këshilla:
Përsa i përket armatimit, ne jemi në gjendje mjaft të vështirë. Armatim sovjetik kanë vetëm dy divizione dhe ato me mungesa të mëdha. Pjesa tjetër e ushtrisë ka armatim gjerman, italian, anglez dhe amerikan. Materiali i armatimit është i shumëllojshëm, i pamjaftueshëm dhe një pjesë e artilerisë e papërshtatshme për konditat tona. Municion nuk kemi veçse rreth 3 ditë zjarr për të gjitha armët. Transporti është në gjendje shumë të keqe.[cxlix]
Kështu, në rastin më të mirë, rezistenca ndaj një invazioni britanik do të kishte zgjatur jo më shumë se tre ditë. Britanikët nuk mund të mos qenë me përafërsi në dijeni për kapacitetin ushtarak të regjimit. Një invadim britanik i Shqipërisë në vjeshtën e vitit 1946 do të kishte qenë çlirim i Shqipërisë nga një regjim shtypës. Ai do të ishte mirëpritur nga pjesa më e madhe e popullit. Regjimi i Hoxhës tashmë nuk ishte armiqësuar vetëm me ato që i quante klasa të përmbysura, por me të gjitha shtresat e popullsisë, me punëtorët dhe fshatarët. Intelektualët nuk e donin regjimin dhe prisnin përmbysjen e tij nga një ndërhyrje perëndimore. Xoxe do të thoshte një të vërtetë në Plenumin VIII të Komitetit Qendror në shkurt 1948:
Përsa i përket elementit intelektual qëndrimi i tij është i çuditshëm kundrejt pushtetit tonë. Me përjashtim të një pjese të vogël, disa nga nëpunësit e vegjël i kanë shtënë sytë nga pushteti ynë, por pjesa më e madhe i ka kthyer sytë nga Perëndimi. Këta ne nuk duhet t’ i lemë të kthejnë nga Perëndimi.[cl]
Një regjim që pohonte në forumet e tij konspirative se kishte kundër intelektualët e vendit (ata që nuk i kishte spastruar), praktikisht pohonte se ishte një despotizëm obskurantist. Regjimi mbahej vetëm me anë të represionit dhe terrorit dhe mbështetej tek nomenklatura dhe pretorianët e tij të dhunës, korpusi i oficerëve dhe Sigurimi i Shtetit. Askush veç tyre nuk do të donte të luftonte për mbrojtjen e regjimit, në rast të një invadimi britanik.
A mund të thuhet se nga invadimi britanik do të kishte përfituar Greqia për të realizuar rivendikimet e saj territoriale për të cilat tashmë kishte gjetur mbështetjen në Konferencën e Paqes? Por në rast se Shqipëria do të ishte çliruar nga regjimi komunist atëherë edhe Britania e Madhe dhe SHBA do ta shikonin në një tjetër pikëpamje Shqipërinë. Tashmë nuk do ta shikonin si satelit të një sateliti sovjetik, por si vend të botës së lirë. Greqia i kishte patur të njëjtat rivendikime territoriale ndaj Shqipërisë edhe pas Luftës së Parë Botërore dhe nuk i kishte realizuar dot, për shkak se e kishin penguar SHBA, por edhe Britania e Madhe.
SHBA dhe Britania e Madhe, ndonëse e mbështetën në Konferencën e Paqes në 1946 kërkesën e Greqisë për rishikimin e kufirit greko-shqiptar, megjithatë e ndaluan atë që t’ i marrë me forcë territoret që rivendikonte. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që në 1949, kur Shqipëria ishte armiqësuar me Jugosllavinë dhe ushtria e fuqishme greke gjendej në shumicën e saj pranë kufirit shqiptar, e lirë nga lufta me komunistët, të cilën tashmë e kishte fituar, nuk ndërmori një mësymje në shkallë të gjerë për të pushtuar territoret e rivendikuara në Shqipërinë e Jugut. Shqipëria në 1949 nuk kishte një aleancë ushtarake me Bashkimin Sovjetik, çka do ta frenonte Greqinë. Kjo gjë nuk mund të interpretohej ndryshe veçse si shenjë që Moska e kishte lënë Shqipërinë jashtë rrezes së mbrojtjes sovjetike. Greqia mund ta kishte invaduar pa rrezik Shqipërinë edhe në 1950 kur filloi lufta e Koresë, dhe në vitet që pasuan kur kjo luftë vazhdonte ende. Sigurisht që Greqia do të kishte dashur shumë që ta bënte një gjë të tillë, por nuk e bëri dot se e ndaluan SHBA, por dhe Britania e Madhe.
Në vjeshtën e vitit 1946 dukej si i sigurt një invadim i Shqipërisë jo vetëm nga britanikët, por edhe nga amerikanët. Në 11 nëntor 1946 Hoxha i çon një telegram sekretarit të përgjithshëm të OKB, Trygve Li, ku proteston:
kundër hyrjes së luftanijeve të SHBA në portin e Durrësit pa pëlqimin e qeverisë shqiptare.[cli]
Deri më atëherë regjimi nuk kishte pasur ankesa të këtij lloji ndaj SHBA. Në telegram për herë të parë Hoxha do të shprehet në terma të ashpra për SHBA:
Politika e qeverisë amerikane kundrejt vendit tonë ka qenë një politikë notash diplomatike të pareshtura, me frymë kërcënuese, me ton frikësues dhe aspak miqësor.[clii]
E megjithatë nuk pati një invadim të Shqipërisë nga ana e britanikëve, çfarë kishte më tepër gjasa të ndodhte, apo edhe britaniko-amerikan, çfarë kishte frikë regjimi. Pse? Unë mendoj se shkaku kryesor ka qenë fakti që britanikët nuk gjetën mbështetje nga amerikanët për ta bërë një gjë të tillë. Arsyeja kryesore që amerikanët nuk e mbështesnin këtë lëvizje të britanikëve për mua ishte se kështu do të përgënjeshtrohej teoria e frenimit, që dominonte atëherë në mendimin strategjik amerikan. Pra, nëse Britania e Madhe, vetëm, apo bashkë me SHBA, invadonin Shqipërinë, e cila shihej si një satelit sovjetik, dhe Bashkimi Sovjetik nuk reagonte për të mbrojtur një vend që tashmë ia atribuonin atij si satelit, atëherë, binte një nga shtyllat e teorisë së përmbajtjes, ajo se rusët do të mbrojnë fort atë që tashmë kanë rrëmbyer dhe do ta përdorin atë si bazë për ekspansion të pakufizuar. Kjo mund të ngjajë ironike sot, por nuk ishte aspak e tillë në atë kohë. Shqipëria, me shumë gjasë, ka qenë një sakrificë filozofike e Perëndimit gjatë Luftës së Ftohtë, e një filozofie në shërbim të interesave të kompleksit ushtarako-industrial amerikan. Unë nuk gjej një shpjegim më bindës për atë se përse Perëndimi nuk ndërhyri ushtarakisht në 1946 dhe në vitet më pas, sidomos gjatë Luftës së Koresë për ta përmbysur regjimin komunist në Shqipëri.
Për fat të keq, me gjithë mosdashjen e qartë të Perëndimit për të invaduar ushtarakisht Shqipërinë, regjimi i Hoxhës dhe jugosllavët që qëndronin pas tij, shikonin në veprimet e perëndimorëve shkaqe të mjaftueshme për mbimilitarizmin e vendit, që do të bëhej gangrenë e shoqërisë shqiptare sa kohë ekzistoi regjimi.
8.
Kolonizimi ekonomik: «Nënshkrimi i këtij akordi tregoi se vendi ynë hyn në një fazë të re historike. Kjo për Partinë tonë nuk është një gjë e papritur. Këtë Partia jonë e dinte».
Pas protektoratit politiko-ushtarak jugosllav mbi Shqipërinë të vendosur me traktatin e korrikut 1946, erdhi «Traktati (konventa ekonomike) në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë për koordinimin e planeve, për bashkimin doganor dhe barazimin e monedhave», i nënshkruar në 27 nëntor 1946 (për palën shqiptare nga presidenti i Këshillit Ekonomik dhe ministri i Ekonomisë, Spiru).[cliii] Traktati, ose konventa ekonomike, siç u emërtua në mënyrë të dyfishtë dhe që ishte parashikuar të ishte në fuqi për 30 vjet, ishte konceptuar si një ligj që i imponohet një vendi të pushtuar dhe ishte një avancim thelbësor i agjendës jugosllave për aneksimin e Shqipërisë. Neni 3 thoshte:
Qeveria e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë dhe qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, angazhohen të zhdukin në një afat prej një muaji që nga data e nënshkrimit të këtij Traktati kufirin doganor dhe doganat në mes të dy vendeve, duke krijuar kështu një territor doganor unik. Mbi territorin doganor unik do të jenë në fuqi sistemet dhe tarifat doganore që ekzistojnë në Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë.[cliv]
Shtrirja e legjislacionit doganor jugosllav në territorin e shtetit shqiptar ishte shenja e parë e aneksmit të Shqipërisë nga Jugosllavia. Kjo do të thoshte se Shqipëria ishte bërë praktikisht pjesë e federatës jugosllave, sa i përkiste sistemit doganor. Në një formë më të maskuar, këtë efekt kishin edhe dispozita të tjera të konventës si ato për barazinë e çmimeve dhe të monedhës. Spiru do të thoshte në plenumin e dhjetorit 1946:
Përsa i përket çështjes së doganave, kjo çështje duhet të përfundojë brenda një muaji.[clv]
Përgatitjen në rrafsh ekonomik të aneksimit të Shqipërisë nga Jugosllavia e tregonte neni 1 i konventës:
Të dy palët e larta kontraktuese angazhohen të kordinojnë planet e të dy vendeve mbi një bazë të përbashkët. Për realizimin e këtij qëllimi do të krijohen organe kordinimi. Organi i kordinimit të planeve ekonomike të dy vendeve do të ngrihet më 15 dhjetor 1946.[clvi]
Kjo do të thoshte se Shqipëria, në çështjen e planifikimit ekonomik, një gjë me rëndësi të madhe kjo në një vend me ekonomi të planifikuar, do të ishte praktikisht pjesë e federatës jugosllave. Hoxha do të thoshte më pas në fjalimin e vet në Plenumin III, në 13 shkurt 1957:
Ne kemi një dokument të planifikimit të firmuar nga Kidriç, ish-kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit të Jugosllavisë, ku Shqipëria figuron si republikë e shtatë jugosllave.[clvii]
Kjo tregon se edhe Hoxha dhe të vetët e kishin pranuar këtë gjë, derisa nuk e kishin denoncuar në kohën kur u erdhi në dorë ky dokument, do të thotë në vitin 1946, kur filloi procesi i planifikimit të përbashkët ekonomik. Pse u prit deri në vitin 1957 që të flitej për këtë dokument? Spiru, glorifikuar më pas, në mënyrë të pamerituar, si kundërshtar planeve kolonizuese jugosllave, do ta mbronte konventën ekonomike në plenumin e dhjetorit 1946, në terma që tashmë e shikonin Shqipërinë si një republikë jugosllave:
Jugosllavia ka posibilitete të mëdha në masën 100 përqind të planit tonë, 70 përqind do ta vemë ne, 30 përqind i vë Jugosllavia, siç bën për Maqedoninë.[clviii]
Spiru nuk e shpjegonte se ku do t’ i gjente këto resurse për të ndihmuar Shqipërinë kjo Jugosllavi e varfër dhe e pazhvilluar, me shumë nevoja për vete, dhe që vetë merrte ndihma nga jashtë. Kuptohet se nuk kishte asnjë gjasë që premtimet jugosllave të mbaheshin. Këtë duhet ta kishte mëse të qartë edhe Hoxha, i cili megjithatë, në dhjetor 1946, në plenumin e jashtëzakonshëm të KQ të PKSH, të mbajtur pas nënshkrimit të konventës ekonomike, do të thoshte:
Shokë, Byroja Politike e pa të nevojshme që të thërrasë mbledhjen e Plenumit të zgjeruar të KQ për të shikuar akordin që u nënshkrua në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Nënshkrimi i këtij akordi tregoi se vendi ynë hyn në një fazë të re historike. Kjo për Partinë tonë nuk është një gjë e papritur. Këtë Partia jonë e dinte. Udhëheqja e Partisë duhet të jetë e qartë për këtë akord, si nga ana politike dhe ekonomike, për ta zbatuar mirë këtë akord. Në se konsiston ky akord? Të gjithë ne e dimë se me vajtjen time në Beograd u nënshkrua akordi i një ndihme mutuale, si rrjedhim i kësaj do të kishte edhe marrëdhënie ekonomike konsekuente logjike të vijës së Partisë sonë.[clix]
Se çfarë do të ishte kjo fazë e re historike për Shqipërinë, për të cilën fliste Hoxha, e kuptonte cilido që kishte njohuritë minimale nga ekonomia, dhe një nga këta njerëz ishte dhe vetë Hoxha, siç do të dilte më vonë, pas prishjes së marrëdhënive jugosllavo-shqiptare. Konventa ekonomike kishte edhe nene të tjera që përmbanin masa që i imponohen një vendi të aneksuar nga vendi aneksues, siç ishte paragrafi i katërt i artikullit të dytë, ku thuhej:
Gjersa të bëhet reforma monetare, e parashikuar në paragrafin 1 të artikullit 2 të këtij traktati, qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë do të vendosë në vendin e saj sistemin e çmimeve me çmimet që vlejnë në vendin (territorin) e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë.[clx]
Që kjo do të kishte pasoja katastrofale për ekonominë shqiptare këtë gjë e pohonte Spiru në Plenumin e dhjetorit 1946:
Tani është puna për produktet bujqësore, pse këtu influencojnë çmimet industriale. Çmimet bujqësore, duke marrë parasysh këtu humbjet janë të larta. Çmimet duhet të respektohen, s’ ka këtu fshatarë të varfër, çmimet duhet të respektohen medoemos.[clxi]
Fshatarësia shqiptare, mbi 80% e popullsisë, e cila tashmë po i paguante një tribut të rëndë regjimit, thirrej të paguante koston e fazës historike në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave për të cilën fliste Hoxha. Por konventa ekonomike kishte dhe dispozita të tjera që ngjanin me ato që i imponohen një vendi të aneksuar, si paragrafi i parë i artikullit të dytë të saj:
Brenda një afati prej tre muajsh që nga data e nënshkrimit të këtij Traktati, qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë do të shpjerë vleftën e njësisë së monedhës së saj, lekun shqiptar, barazi me atë të dinarit jugosllav.[clxii]
Regjimi shqiptar që nënshkroi dhe hymnizoi një marrëveshje të tillë ishte qartësisht një regjim kolaboracionist, në kuptimin më të keq të kësaj fjale gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, siç ndodhte rëndom me punët e Hoxhës, gjërat morën një kurs komik, se jugosllavët e panë se nuk ishte e mundur që të zbatoheshin aty për aty masat që parashikonte konventa ekonomike, me përjashtim të heqjes së regjimit doganor mes dy vendeve dhe të vendosjes së regjimit doganor jugosllav në Shqipëri, e cila ishte një gjë e thjeshtë për t’ u bërë. Në teori, mendohej se barazimi i monedhës ishte një gjë e thjeshtë. Jugosllavët e shikonin barazimin e monedhës si një çështje së pari me rëndësi politike, në zbatim të agjendës së tyre për aneksimin e Shqipërisë. Sa i përket çështjeve praktike të zbatimit të kësaj mase, ata kishin menduar pak ose aspak. Jugosllavëve u dukej një gjë mjaft e thjeshtë barazimi i monedhës mes dy vendeve që kishin ekonomi ku paraja kishte humbur rëndësinë e saj, për shkak se industria dhe tregtia me shumicë qenë shtetëzuar, se pjesa më e madhe e mallrave shiteshin me triska, dhe në fuqi një sistem shtetëror grumbullimi të prodhimeveve bujqësore e blegtorale me çmime fikse. Merret vesh që barazimi i monedhës mes këtyre vendeve do të ishte në një masë të madhe një fiksion, ashtu siç ishte vetë monedha në këto vende. Por, paradoksisht, doli se pikërisht për këto arsye barazimi i monedhave të dy vendeve ishte një gjë e komplikuar. Ajo kërkonte kordinimin e planifikimit ekonomik, i cili bënte të mundur që ekonomia e dy vendeve të funksiononte në atë masë që funksiononte, në kushtet kur monedha ishte një fiksion. Për Shqipërinë, barazimi i monedhës do të thoshte veç të tjerash se duhet të bënte një tjetër reformë monetare në fillim të vitit 1947, pas asaj që kishte bërë në vitin 1946. Me reformën monetare të vitit 1946 Shqipëria kishte futur në qarkullim monedhën e re që ishte frangu i ri. Tashmë duhej që monedha e re të hiqej nga qarkullimi për t’ u zëvendësuar nga një tjetër monedhë e re, leku. Duke konsideruar dhe surchargment-in e monedhës, të bërë në vitin 1945, kjo do të thoshte se Shqipëria duhej të bënte tre reforma monetare brenda tre vjetëve të parë të regjimit të ri, çka shkaktonte kaos në financat e vendit.
E njëjta gjë mund të thuhej dhe për barazimin e çmimeve. Në fillim kjo u konsiderua si një gjë më e thjeshtë se barazimi i monedhës, madje në konventë u tha se do të bëhej para barazimit të monedhës. Dhe në fakt dukej një gjë e thjeshtë barazimi i çmimeve mes dy vendeve që kishin ekonomi të planifikuar, ku pothuajse mungonte tregu i lirë, dhe ku çmimet qenë një fiksion i dalë nga zyrat shtetërore të planifikimit ekonomik shtetëror. Por, edhe në këtë rast, paradoksisht, pikërisht për këtë arsye çështja doli më e ndërlikuar, se duhej të kordinohej planifikimi ekonomik mes dy vendeve. Agjenda jugosllave e aneksimit u pengua disi nga barrierat që krijonte ekonomia e planifikuar! Prandaj qenë vetë jugosllavët ata që e vonuan barazinë e monedhës dhe të çmimeve, deri në verën e vitit 1947. Më vonë, Hoxha do të thoshte për këtë në fjalimin e vet në plenumin e Komitetit Qendror, në shkurt 1957:
Parifikimi i monedhës shqiptare me dinarin jugosllav u bë me një zhvlerësim të madh të frangut shqiptar, duke humbur të paktën 3.5 lekë për çdo frang.[clxiii]
Parifikimi, i cili u bë me rastin e zëvendësimit të frangut me lekun, ishte kështu një gjë e dalë nga manuali i financës koloniale. Hoxha, në raportin e vet, në Kongresin I të PKSH, në nëntor 1948, do të thoshte për frymën e konventës ekonomike të nëntorit 1946:
Sipas Jugosllavisë ne duhej të punonim për Jugosllavinë, për gjithë lëndët e para që ata kishin nevojë, këto t’ eksportoheshin në «metropolin» Jugosllavi dhe të punoheshin atje në fabrikat jugosllave. Dhe mbasandaj, Jugosllavia do t’ i furnizonte «kollonisë së vet Shqipërisë» sendet e manifakturuara me çmime grabitqare, që nga peri gjer te gjilpëra, do të furnizonte benzinën dhe naftën dhe vajgurin si dhe poçet e llampave ku do të digjej produkti ynë, i nxjerrë nga toka jonë, i përpunuar në Jugosllavi dhe i shitur tek ne me çmime të mëdha.[clxiv]
Por Jugosllavia nuk e kishte pushtuar ushtarakisht Shqipërinë dhe të gjitha këto i bënte nëpërmjet udhëheqjes shqiptare. Në rast se i besojmë Hoxhës, se këto gjëra Jugosllavia i bënte në sajë të Xoxes dhe njerëzve të tij, atëherë si shpjegohet që Hoxha me të vetët, që supozohej se luftuan kundër fashizmit, nuk rrëmbyen armët dhe t’ i jepnin fund sundimit jugosllav, gjë që ishte shumë më e lehtë për shkak se jugosllavët nuk kishin ushtri në Shqipëri? I njëjti Enver Hoxhë, i cili në Kongresin I të PKSH, në nëntor 1948, do ta denonconte Jugosllavinë për politikë ekonomike koloniale ndaj Shqipërisë, çka u mundësua nga konventa ekonomike mes dy vendeve, në përvjetorin e parë të nënshkrimit të Konventës Ekonomike, kur tashmë qenë dukur plotësisht efektet e saj të këqija, do t’ i çonte një përshëndetje Titos me këtë rast, në 10 dhjetor 1947,:
Kryetarit të Qeverisë të RFP të Jugosllavisë
ministër i Mbrojtjes Kombëtare, Mareshali i Jugosllavisë
Josif Broz Tito
Beograd
Me rastin e përvjetorit të parë të nënshkrimit të Marrëveshjes Ekonomike, mbi kordinimin e planeve ekonomike të dy vendeve, mbi heqjen e kufirit doganor dhe të doganave dhe mbi parifikimin e monedhave tona midis RP të Shqipërisë dhe RFP të Jugosllavisë, më lejoni t’ ju shpreh në emrin e popullit Shqiptar, në emrin e qeverisë shqiptare dhe në emrin tim ndjenjat tona më të forta dhe urimet më të nxehta për popujt e Jugosllavisë së re dhe për ju, shoku Mareshal, që jeni autori kryesor i arritjes së këtij bashkëpunimi dhe vëllazërimi të pathyeshëm të popujve tanë.[clxv]
Dhe Hoxha thoshte këto gjëra kur e dinte mirë se cfarë përfaqësonte konventa ekonomike dhe kur tashmë kishte në dorë dokumentin që e shikonte Shqipërinë si republikë jugosllave, për të cilin do të fliste në 1957. Populli shqiptar as që u pyet për këto gjëra. Për to kishte vendosur klika e partisë ilegale. Më poshtë Hoxha thotë në këtë përshëndetje:
Gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, që prej nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje të Madhe Ekonomike dhe deri tash populli ynë gëzon rezultate konkrete në ngritjen e standardit të jetës së tij ekonomike dhe kulturale.[clxvi]
Se në çfarë gjendje ekonomike ishte populli shqiptar në atë kohë, këtë gjë do ta thoshte më qartë Ministri i Ekonomisë, Gogo Nushi, në Plenumin VIII të Komitetit Qendror, më pak se tre muaj pas përshëndetjes që Hoxha i çoi Titos:
Disponibilitetet tona janë shumë të pakta. S’ kemi oriz, makarona, fasule, ullinj etj. Do t’ i shpërndajmë popullit vetëm vaj. Këtë gjendje unë e ngre si problem të madh. Në këtë situatë u gjendëm edhe vjet.[clxvii]
Këto nuk thuheshin publikisht, por në një forum konspirativ të regjimit. Publikisht flitej me gjuhën e përshëndetjes së Hoxhës për Titon. Nën dritën e thënieve të mësipërme të Gogo Nushit, përshëndetja e Hoxhës për Titon ngjan një humor i zi prej komediani sardonik. Sa për ndihmën jugosllave, jo vetëm që ajo nuk po vinte, por arriti puna deri atje sa edhe kërkimi i saj të quhej herezi, se u krijonte probleme miqve jugosllavë. Në platformën e paraqitur për diskutim nga Byroja Politike në Plenumin VIII të KQ, në shkurt-mars 1948, thuhet për ndihmën jugosllave në vitin 1947, të parin vit pas nënshkrimit të konventës ekonomike:
Nako Spiru e dinte fare mirë vështirësinë që kishte për të prokuruar makina, këtë ia kishin thënë edhe Sovjetët, edhe jugosllavët. Ai e dinte se vitin e kaluar, kur u kërkuan 200 traktorë nga Jugosllavia, me shumë zor dhe me sakrifica ata mundën të na prokuronin 10, por ai me qëllim kërkonte 600 traktorë.[clxviii]
Këtu del qartë se udhëheqja shqiptare e dinte se nga Jugosllavia e varfër dhe e prapambetur as që mund të pritej ndihmë reale ekonomike, e megjithatë me të u nënshkruan marrëveshjet kolonizuese. Së paku ata që nënshkruan marrëveshjet me Italinë dikur qenë të vetëdijshëm se nga ajo Shqipëria do të kishte përfitime konsistente.
Nuk duhet të jetë një gjë e rastit që, pikërisht në kohën kur Hoxha po zbatonte me zell agjendën jugosllave për zhdukjen e shtetit shqiptar, ai do të bënte vlerësime për historinë e Shqipërisë, ku përpjekjet për krijimin e shtetit shqiptar u konsideroheshin si një gabim personaliteteve historike si Skënderbeu. Në 3 janar 1947 Hoxha do të thoshte në një bisedë me redaksinë e gazetës «Pionieri» dhe me një grup pionierësh:
Çështja e historisë së Shqipërisë është një gjë me rëndësi. Historia e Shqipërisë është historia e vendit tonë. Por kjo duhet të shkruhet në metodën e re. Në të duhen shikuar gjërat progresive. Kur shohim përshembull jetën e Skënderbeut, duhet të shikojmë ç’ka pasë progresiste në jetën e tij. Ai është Hero i Kombit. Ai është progresist për kohën e tij, sepse ngriti popullin kundër turqve. Por në të njëjtën kohë ai është një princ feudal që kërkonte bashkimin e principatave e të ngrinte një mbretëri me në krye veten e tij. Ai u shpall shpëtimtar i katolicizmit, por duhet treguar mirë se ai mbronte përparimin kundër osmanllinjve.[clxix]
Sipas Hoxhës, nuk duhej që shqiptarët të kishin shtet në kohën e Skënderbeut sepse ajo do të ishte një mbretëri feudale?
[i] «Historia e Shqipërisë», Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1983, Vol. IV, f. 39
[ii] «Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 120
[iii] po atje: f. 120
[iv]po atje: f. 121
[v] po atje: f. 121
[vi] po atje: f. 121
[vii] po atje: f. 121
[viii]po atje: f. 121
[ix]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f.191
[x] po atje: f.195
[xi] «PPSH: Dokumente kryesore», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi 1, f. 273
[xii] «Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 122
[xiii]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f.194
[xiv] «Historia e Shqipërisë», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1984, Vol. IV, f. 78
[xv] «PPSH: Dokumente kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol 2, f. 16
[xvi] Enver Hoxha: Vepra, vol 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 99
[xvii]po atje: f. 99
[xviii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 143
[xix] «PPSH: Dokumente kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol 2, f. 17-18
[xx] «Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 264-265
[xxi] «Historia e PPSH», Instituti i Studimeve Marksiste- Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1981, f. 250
[xxii]«PPSH: Dokumente kryesore», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi 1, f. 482
[xxiii]po atje: f. 341
[xxiv]po atje: f. 482- 483
[xxv]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 279
[xxvi]«Raportet dhe Rezolutat e Konferencës së Byrosë Informative të Partive Komuniste dhe Punëtore: nëntor 1949», Botim i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1949, f. 89-90
[xxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 475
[xxviii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 274-275
[xxix]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 275
[xxx] «Konferenca e III-të e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë», 9-12 Tetor 1949, Botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 60
[xxxi]Enver Hoxha: Vepra, vol. 4, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1970, f. 319
[xxxii]po atje: f. 316
[xxxiii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 542- 543
[xxxiv] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 391
[xxxv]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 518-519
[xxxvi]Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 392
[xxxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 25, Shtëpia botuese «8 nëntorit», Tiranë 1977, f. 315
[xxxviii]po atje: f. 320
[xxxix]Enver Hoxha: Vepra, vol 17, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1974, f. 295
[xl]Enver Hoxha: «Raporte e fjalime: 1980-1981», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1983, f. 139
[xli] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 238
[xlii]po atje: f. 236
[xliii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 157
[xliv]«Politika antikombëtare e Enver Hoxhës», Plenumi II i Beratit, dokumente, Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, Tiranë 1995, f. 251
[xlv] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 593
[xlvi]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 238
[xlvii] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 245
[xlviii] po atje: f. 289
[xlix]po atje: f. 159
[l] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka dhe Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 119
[li] po atje: f. 119
[lii]po atje: f. 117
[liii]po atje: f. 117- 118
[liv] po atje: f. 117
[lv]po atje: f. 120
[lvi]po atje: f. 251
[lvii]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 365
[lviii]po atje: f. 369
[lix] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 566
[lx] po atje: f. 165- 166
[lxi] po atje: f. 155-156
[lxii] po atje: f. 232
[lxiii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 249
[lxiv]Karl Marks, Frederik Engels: «Vepra të zgjedhura», Vol 1, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 252
[lxv] Arkivi i Presidentit të Federatës Ruse , fondi 45, opis 1, delo 397, f. 107
[lxvi]Arhiv Josipa Broza Tita. Fond Kabinet Marsala Yugoslavije. I- 1/7. L. 6-11
[lxvii]Arkivi i Presidentit të Federatës Ruse , fondi 45, opis 1, delo 397, f. 109
[lxviii]po atje: f. 110
[lxix]Arhiv Josipa Broza Tita. Fond Kabinet Marsala Yugoslavije. I- 1/7. L. 6-11
[lxx] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 43
[lxxi]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 254
[lxxii]po atje: f. 259
[lxxiii]Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1979», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1985, vol. 12, f. 572
[lxxiv]Milovan Gjilas: «Si e njoha Josif Broz Titon», Shtëpia botuese «55», Tiranë 2006, f. 118-119
[lxxv]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 257- 258
[lxxvi]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka dhe Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 156
[lxxvii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 259- 260
[lxxviii] «Dokumenta dhe qarkore të Partisë Komuniste Shqiptare», Botimi i Komitetit Qendror të PKSH, Tiranë 1948, f. 291
[lxxix]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 263
[lxxx]po atje: f. 264
[lxxxi]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 73
[lxxxii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 140
[lxxxiii]cituar sipas: «Albania : US Position on Recognition of the Tirana Government»: Department of State, External Research Study XR/ RESS- 17, Washington D.C. Decembre, 28, 1973, p. 16
[lxxxiv]po atje. f. 16
[lxxxv]cituar sipas: Vladimir Dedijer: «Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare», Shtëpia botuese «Medaur», Tiranë 2005, f. 132
[lxxxvi]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 523
[lxxxvii]po atje: f. 44
[lxxxviii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 260- 261- 262
[lxxxix]Arkivi Qendror i Shtetit, Viti 1944, dos. 12 f. 40
[xc] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 265
[xci] po atje: f. 266
[xcii]po atje: f. 266
[xciii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 44
[xciv]po atje: f. 45
[xcv]po atje: f. 46
[xcvi] «Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 20
[xcvii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 564
[xcviii] po atje: f. 565- 566
[xcix]po atje: f. 566
[c]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 420
[ci]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 270-271
[cii] po atje: f. 213
[ciii]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 422
[civ] po atje: f. 423
[cv] po atje: f. 424
[cvi]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 424
[cvii]po atje: f. 428
[cviii]po atje: f. 436
[cix] po atje f. 428
[cx] po atje: f. 448
[cxi] po atje: f. 438-439
[cxii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 156
[cxiii]po atje: f. 157
[cxiv]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 138
[cxv] po atje: f. 138
[cxvi]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 157
[cxvii]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 141
[cxviii] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 336
[cxix]po atje: f. 156
[cxx] po atje: f. 302
[cxxi] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 140- 141
[cxxii]po atje: f. 141
[cxxiii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 344
[cxxiv]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 158
[cxxv] po atje: f. 155
[cxxvi] po atje: f. 156
[cxxvii] po atje: f. 156
[cxxviii]po atje: f. 85-86
[cxxix]po atje: f. 87
[cxxx]po atje: f. 89
[cxxxi]Po atje: f. 90
[cxxxii]Milovan Gjilas: «Fytyra e totalitarizmit», Shtëpia botuese «Fan Noli», Tiranë 2006, f. 113- 114
[cxxxiii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 210
[cxxxiv] po atje: f. 210
[cxxxv]po atje: f. 210
[cxxxvi]«Historia e PPSH», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1981, f. 214
[cxxxvii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 546
[cxxxviii]po atje: f. 556
[cxxxix] «Dosja sekrete e UDB-së: emigracioni shqiptar 1944-1953», Shtëpia botuese «Koha» & Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Prishtinë, Tiranë, f. 75
[cxl] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 544
[cxli]po atje: f. 556
[cxlii]po atje: f. 31
[cxliii] po atje: f. 56
[cxliv] po atje: f. 57- 58
[cxlv] po atje: f. 59
[cxlvi]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 531-532
[cxlvii]po atje: f. 535
[cxlviii]po atje: f. 537
[cxlix]po atje: f. 87
[cl] po atje: f. 346
[cli]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 538
[clii]po atje: f. 539
[cliii] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 62-65
[cliv] po atje: f. 64
[clv] po atje: f. 75
[clvi]po atje: f. 63
[clvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 277
[clviii]«Marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 75
[clix]po atje: f. 68- 69
[clx] po atje: f. 63
[clxi] po atje: f. 75
[clxii] po atje: f. 63
[clxiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 276-277
[clxiv]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 241
[clxv]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 531- 532
[clxvi] po atje: f. 532
[clxvii] po atje: f. 357
[clxviii] po atje: f. 230
[clxix]Enver Hoxha: Vepra, vol 4, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1970, f. 10





