PJESA E PARË - TITOISTI I TITOIZMIT ULTRASTALINIST




1.
«Macbethi» komunist rrëmben skeptrin e «Duncanit» fashist

      Në romanin e Ismail Kadaresë «Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur», gjenerali dhe prifti bëjnë këtë bisedë, duke vështruar qytetin e Tiranës nga kodrat pranë liqenit artificial:
       -Në atë librin për Shqipërinë thuhej se gjithë kompleksi arqitektoral i gjysmës së Bulevardit të madh, përfytyron sopatën e liktorit, -tha gjenerali, duke treguar me dorë përpara.
-Kjo është e vërtetë,-tha prifti.
-Megjithatë unë kam disa minuta që po mundohem ta gjej ngjashmërinë dhe nuk po e gjej dot.
-Shikojeni me kujdes,-tha prifti dhe tregoi me dorë,- bulevardi i madh të jep përshtypjen e bishtit të sëpatës, ndërtesa e lartë e Rektoratit është pjesa e fundit e bishtit që delmbi sëpatën. Theatri i Operas ngjan si pjesa e pasme e sëpatës, kurse Stadiumi, -prifti zgjati dorën nga e djathta,- është presa e rrumbullakosur e saj.
-Interesant,- tha gjenerali.-Megjithatë unë përsëri nuk e kap dot.
-Ndoshta sepse duhet parë nga një pikë më e lartë se nga ky breg,- tha prifti.- Dhe përveç kësaj kryesorja është se shqiptarët pas luftës janë munduar ta zhdukin këtë ngjasim.
-Ata do të kenë prishur ndonjë pjesë të kompleksit?
-Jo,- tha prifti, -përkundrazi kanë ngritur ndërtesa të tjera në këtë kompleks dhe kjo ka bërë të njëjtin efekt.
-Mendoj se ai që e ka prishur krejt përfytyrimin e sëpatës është lagja e madhe nga e majta, -tha gjenerali.
-Është një lagje e tërë,- tha prifti,- dhe më duket se quhet «Lagja 1 Maj».
-Me një fjalë, kjo ishte si një vulë gjigande në qendër të qytetit.[i]
      Në këtë fragment nga romani i Kadaresë gjendet një kod shumë i çmuar për të depërtuar në enigmën e personalitetit të Enver Hoxhës dhe sundimit të tij. Kur Kadare botoi romanin e vet, regjimi komunist ishte në fuqi prej 19 vjetësh dhe deri më atëherë nuk e kishte përmendur kurrë këtë çështje. Pse duhej që gjenerali dhe prifti, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për të zhvarruar eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Italia fashiste okupoi vendin, të bëheshin në romanin e Kadaresë që të zhvarronin edhe këtë simbolikë të asaj kohe? Duke ditur se për regjimin komunist edhe gjëra shumë më pak të rëndësishme se kjo qenë tabu, dhe nuk përmendeshin kurrë, nuk mund të mos mendosh se në romanin e Ismail Kadaresë një informacion i tillë është futur me porosi të vetë Hoxhës. Kadare, i cili në atë kohë ishte një shkrimtar i ri 27 vjeçar, nuk do të guxonte kurrë të shkruante diçka të tillë nga mendja e vet, madje jo vetëm atëherë, por edhe më vonë. Madje, edhe sikur ta kishte bërë ai këtë gjë, kontrollorët e librit në shtëpinë botuese nuk do të guxonin kurrë që të jepnin leje për botimin e librit me këtë fragment.[ii]Regjimi nuk e përmendte kurrë që bulevardi i madh i Tiranës dhe ndërtesat qeveritare në dy anët e tij qenë ndërtuar para se ai të vinte në fuqi, nga Italia, jo më të përmendte se në qendër të Tiranës ishte një simbol fashist arkitektonik, gjigand.  Hoxha, nga njëra anë u përpoq ta zhdukte sopatën virtuale, me anë ndërtimesh, siç thotë prifti në roman, në anën tjetër shkonte me shpresën se kjo gjë do të ndihmonte që, me kalimin e kohës, kur të vdisnin ata që e mbanin mend se bulevardi dhe ndërtesat përreth tij (ashtu si dhe gjithë rrugët dhe pjesa më e madhe e ndërtesa shtetërore, spitaleve, shkollave) në të gjithë Shqipërinë, qenë ndërtuar para se të vinte në pushtet Hoxha, brezat pasardhës do të besonin se këto ndërtime qenë bërë pas ardhjes në pushtet të Hoxhës. Por njerëzit pëshpërisnin dhe kumti kalonte nga brezi në brez. Shkelja e tabusë në romanin e Kadaresë shënon përfundimin e betejës së komunizmit shqiptar me fashizmin, betejë në të cilën komunizmi virtualisht firmoi kapitullimin e vet me dialogun e mësipërm në romanin e Kadaresë.
      Hoxha bëri hyrjen e vet triumfale në Tiranë, në 28 nëntor 1944, në krye të udhëheqjes komuniste, duke ecur në këmbë në bulevardin e madh, në këtë tempull virtual fashist. Në ndërtesat rreth kësaj sopate virtuale, të ndërtuara nga italianët, do të vendoseshin edhe zyrat kryesore të regjimit komunist. Në ndërtesën që në romanin e Kadaresë përmendet si Rektorati (ndërtesa në krye të atij që sot është Sheshi «Nënë Tereza») në fillim u vendos Komanda e Përgjithshme, ku kishte një nga zyrat e tij Hoxha, në cilësinë si Komandant i Përgjithshëm. Ndërtesa në krah të saj, e cila kishte qenë seli e parlamentit fashist, do të bëhej seli e parlamentit komunist. Korpusi i ndërtesave të ministrive, të ndërtuara nga italianët, do të vazhdonin të qenë të tilla gjatë regjimit komunist. Ndërtesa e komandës së përgjithshme të ushtrisë italiane në Shqipëri do të bëhej më pas seli e kryeministrit, çka është edhe sot. Ndërtesa e pambaruar që italianët donin ta bënin seli të radios dhe gazetave e revistave qeveritare, përballë së parës, do të përfundohej nga regjimi komunist, për t’ u bërë seli e Komitetit Qendror të partisë. Hotel «Dajti» do të ishte hoteli kryesor në kryeqytet në kohën e regjimit komunist. Stadiumi i ndërtuar nga italianët mbeti, me një shtesë të vogël dhe të shëmtuar, stadiumi kryesor i vendit gjatë regjimit komunist. Kjo ishte epitoma e realitet shqiptar të dy epokave. Regjimi komunist nuk mundi të ndërtonte asgjë më të mirë se ato që kishte bërë Italia fashiste.
      Nëse i bëhet një shqyrtim më i vëmendshëm sopatës virtuale dhe konfiguracionit të ndërtesave rreth saj, do të vërehet se jo më kot tehu i saj është drejtuar kah jugëlindja. Në kohën që filluan të ndërtohen stadiumi dhe selia e parlamentit që formuan pjesën metalike të sopatës, tashmë kishte filluar të ndërtohej pallati mbretëror në kodrat në juglindje të bulevardit, jo shumë larg tij. Pallati do të ishte selia në Shqipëri e mbretit të Italisë dhe atje do të rrinte mëkëmbësi i tij në Shqipëri. Diktatori italian, Musolinit, i cili ishte kryeministër, dihet se kishte një marrëdhënie të dyfishtë me mbretin, të cilit bënte sikur i bindej por në fakt e urrente dhe e kërcënonte tërthorazi. Musolini e ndërtoi tehun e sopatës në drejtim të pallatit mbretëror për t’ i çuar një kumt kërcënues mbretit. Sopatën e liktorit Musolini e shikonte si skeptrin e vet, simbolin e sundimit të diktatorit fashist, të cilën e mbante edhe mbi kokën e mbretit. Në Shqipëri kjo shprehej më qartë, në mënyrë simbolike. Sopatën virtuale-skeptër të diktatorit fashist, do ta rrëmbente Hoxha kur hyri në Tiranë. Sopata virtuale ishte një lloj «skeptri» mbretëror domethënës i kreut të regjimit komunist represiv dhe gjakatar. Hoxha, në zyrën e vet të kryeministrit, në ndërtesën qeveritare të ndërtuar në kohën e Italisë, atje ku bulevardi i madh bashkohet me Sheshin «Skënderbej», dukej sikur kishte rrokur për bishti sopatën virtuale-skeptër. Ky kombinim unik në botë do të bëhej një monument që simbolizonte fashistizimin e komunizmit. Edhe vetë regjimi i Hoxhës do të ishte një regjim komunist i fashistizuar. Madje në rastin e Hoxhës e gjithë kjo simbolizonte dhe diçka tjetër, faktin që atij «skeptrin» e pushtetit ia kishte dhënë në dorë policia sekrete fashiste, OVRA, agjent i së cilës kishte qenë. Sopata virtuale fashiste ishte e konceptuar si një lloj tempulli gjigand i hapur në natyrë, ku regjimi fashist kishte llogaritur të bënte ritualet e veta propagandistike. Regjimi komunist do t’ i bënte ritualet e veta në këtë tempull të trashëguar nga fashizmi, gjatë gjithë ekzistencës së tij.
      Regjimi i Hoxhës u përpoq ta bëjë të padukshme sopatën virtuale, duke bërë ndërtime, por nuk ia doli dot. Që të bëhej e padukshme ajo duhej që, para së gjithash, rrugët që prisnin bulevardin të bëheshin po aq të gjera sa ai, së paku në një segment. Gjithashtu, ishte dashur që në në anën tjetër të sheshit, kundruall stadiumit olimpik të ndërtuar nga fashizmi, të ndërtohej të bëhej një tjetër ndërtim i këtyre përmasave, një tjetër stadium, që mund të ishte vetëm stadium futbolli, siç kishin në plan italianët të bënin më vonë. Kështu imazhi do të zhdukej krejt. Por regjimi komunist nuk arriti kurrë të ndërtonte një bulevard aq të gjerë sa bulevardi i madh, i ndërtuar nga italianët, dhe as një stadium aq të madh në Tiranë. Regjimi komunist e bëri me dëshpërim këtë betejë me fashizmin për një kohë të gjatë, dhe 19 vjet pas ardhjes në fuqi më në fund e gjeti zgjidhjen me ndjenjën e tij të vetëindulgjencës, duke i bërë gjeneralin dhe priftin, të cilët në romanin e Kadaresë paraqiten si fashistë të bindur, që të pohojnë se imazhi i sopatës virtuale është zhdukur me ndërtimet që bëri regjimi komunist. Me këtë Hoxha kinse çlirohej nga kompleksi i Macbethit, i cili i ka rrëmbyer skeptrin Duncanit, duke thënë se tashmë nuk ekzistonte më sopata virtuale fashiste që ngjante si skeptri i tij i sundimit, dhe që dukej se e kishte torturar shumë mendërisht.
     Një provë për këtë është fakti se kur regjimi komunist e rrëmbeu skeptrin virtual në nëntor 1944, ai pati zakonet e xhelatit që fsheh fytyrën me maskë. Në pajtim të plotë me natyrën prej komediani të Hoxhës, regjimi i ri ishte një maskaradë, në kuptimin e plotë të fjalës, derisa partia komuniste, e cila ishte praktikisht në pushtet, vazhdonte të ishte ilegale, dhe do të ishte e tillë deri në 1948. Në 25 maj 1945, Hoxha, në fjalimin që mbajti në ceremoninë e hapjes së Shkollës së partisë në Tiranë, e cila do të bëhej shkolla e burokracisë partiake, që do të sundonte vendin, tha:
      Shokët duhet të kuptojnë mirë rëndësinë e momentit dhe përgjegjësitë e tyre të mëdha. Sot drejtojmë një popull, drejtojmë një shtet. Partia jonë ka marrë fatet e vendit në dorë.[iii]
      Por, partia vazhdonte të ishte ilegale, ose më saktë inkonjito. Petro Marko, i cili atëherë ishte kryeredaktor i së vetmes së përditshme në Shqipëri («Bashkimi») në 1945 u bë dëshmitar i bisedës së mëposhtme mes dy gazetarëve amerikanë dhe Hoxhës në zyrën e këtij të fundit:
       Li Uait: Zoti gjeneral, a bëni pjesë në Partinë Komuniste?
Enveri: Është nder i madh të jesh anëtar i Partisë Komuniste.
Çakalli: Po ju, si president i qeverisë, a jeni komunist?
Enveri: Partia është ilegale dhe nuk tregohet nëse je apo jo komunist.
Li Uait: Ky është një paradoks. Një parti që udhëheq luftën dhe del fitimtare, nga cili ka frikë të jetë legale? Ajo triumfoi.[iv]
      Partia, qartësisht, hezitonte të pohonte se kishte bërë një puç në pushtim. Është sa ironike aq edhe domethënëse se deri edhe dokumentet e PKSH të kohës së luftës, kur ato u botuan për herë të parë në 1948, në një libër me titull “Dokumenta dhe qarkore të Partisë Komuniste Shqiptare”, ai mbante shënimin:
       Ndalohet çdo ribotim. Material me karakter konspirativ, i lejueshëm për qarkullim vetëm brenda organizatave të Partisë.[v]
      Moslegalizimi i partisë komuniste nuk u bë pas ndonjë kërkese sovjetike. Në Shqipëri partia komuniste thjesht nuk u legalizua se Shqipëria tashmë ishte shndërruar në satelit tëe Jugosllavisë dhe ndiqte modelin e saj. Në letrën që Komiteti Qendror (CEKA) i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik i dërgonte Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në 27 mars 1948 thuhet:
       Një përshtypje të çuditëshme shkakton fakti që Partija Komuniste Jugosllave, duke qenë Parti drejtuese nuk është legalizuar deri në këtë kohë plotësisht dhe akoma vazhdon të jetë në gjendje gjysmë legale. Vendimet e organeve të Partisë si rregull nuk publikohen në shtyp. Nuk publikohen gjithashtu raportet mbi mbledhjet e Partisë.[vi]
      Në Kongresin I të Partisë Komuniste të Shqipërisë, në nëntor 1948, Hoxha do të thoshte për partinë që kishte marrë fatet e vendit në dorë:
       Tek ne fshiheshin zyrat e Partisë prapa zyrave të Frontit, Partia s’ publikonte vendimet e saja, po këto i jepte nëpërmjet Frontit. Masat e gjëra të popullit nuk e shihnin fytyrën e Partisë.[vii]
      Me këtë imitohej modeli jugosllav. Kjo gjë ndodhte në dy vendet e Europës Lindore ku partia komuniste ishte krejtësisht në pushtet, në Jugosllavi dhe Shqipëri. Ndërsa në vendet e tjera të Europës Lindore ku gjendej ushtria sovjetike, partia komuniste ishte legale, por në minorancë. Në Jugosllavi ky paradoks ndodhte, sa për arsye se partia hezitonte të zbulohej si puçiste në pushtim, aq edhe se udhëheqja komuniste jugosllave donte të vazhdonte të merrte ndihma nga amerikanët dhe britanikët në vitet e para pas luftës.
      Duke mbetur ilegale edhe pas «çlirimit» Partia komuniste në Shqipëri ekzistonte dhe ushtronte veprimtarinë në kundërshtim flagrant me ligjet që kishin nxjerrë njerëzit e saj, të cilët kontrollonin parlamentin komunist. Qenia e partisë komuniste në ilegalitet edhe pasi kreu i saj u bë kryeministër, do ta shkatërronte që në nisje ligjshmërinë në vend, edhe sipas vetë ligjeve që kishte bërë regjimi i ri. Regjimi i ri ishte kështu një konspiracion në pushtet, ose quintia essentia e konspiracionit, derisa ishte krijesë e një konspiracioni të inicuar dhe kryer si një puç nën pushtimin e huaj. Regjimi i ri ngjante shumë me një piramidë të vjetër egjiptiane, ku ngrehina madhështore është vetëm aparanca dhe pjesa më e rëndësishme është ajo nëntokësore. Në fakt Hoxha më pas do ta bënte piramidën simbolin e regjimit të vet kur porositi që të ndërtohet një e tillë për të pas vdekjes. Pjesa e dukshme e «piramidës» së regjimit qe Fronti Nacionalçlirimtar, më pas i quajtur Fronti Demokratik, i cili në letër qe bartësi i pushtetit me anë të këshillave të ndërtuara në formë piramidale nga fshatrat, qytetet, qarqet deri tek KANÇ (më pas Kuvendi Popullor), në rang vendi, ekuivalenti i parlamentit, i cili nxirrte dhe qeverinë. Në realitet, ashtu si në një piramidë egjiptiane, poshtë ngrehinës qenë korridore dhe dhoma sekrete ku ishte qendra e vërtetë e pushtetit, Partia Komuniste ilegale, një organizatë sekrete që kontrollonte ngrehinën legale të pushtetit.
      Partia që drejtonte vendin jo vetëm ishte ilegale por nuk kishte as program dhe statut të shkruar. Në rezolucionin e Kongresit I të PKSH, në 1948 do të thuhej:
       Partija e jonë deri më sot nuk ka patur një program të sajin të aprovuar nga masat e Partisë… Partija e jonë deri më sot nuk ka patur një Statut të saj të aprovuar nga masat e Partisë.[viii]
      Gjithçka që kishte partia që drejtonte vendin ishte një agjendë konspirative të cilën e njihte elita e saj, Byroja Politike dhe Komitetit Qendror, një grusht njerëzish që përbënin një konspiracion brenda një konspiracioni. Nëse partia që drejtonte vendin ishte ilegale me dëshirën e saj, qeveria e kryesuar nga Hoxha ishte ilegale, në një sens tjetër, kundër dëshirës së saj. Edhe pasi Hoxha hyri në Tiranë qeverinë e tij nuk e kishin njohur jo vetëm aleatët perëndimorë dhe Bashkimi Sovjetik, por as qeveria e Titos. Sigurisht që ishte qeveria e Titos ajo që duhet ta njihte atë të Hoxhës, dhe jo e kundërta se qeveria e Titos, pas kompromisit që kishte bërë me mbretin, kishte marrë legjitimitetin ndërkombëtar që kishte qeveria në mërgim e Londrës, falë së cilës Jugosllavia ishte zyrtarit anëtare e Kombeve të Bashkuara. Muajt do të kalonin dhe qeveria e Titos nuk do ta njihte atë të Hoxhës, duke bërë që të ushqehej paranoja e këtij të fundit, që e shikonte veten si një kolaboracionist jugosllav të refuzuar. Ajo çka e kthente ankthin e Hoxhës në panik ishte refuzimi i Titos për ta pritur atë në Beograd. Hoxha shkruan në kujtimet se ai kishte dashur që ta vizitonte zyrtarisht Beogradin fill pas hyrjes në Tiranë, dhe me sa duket kishte menduar se do të ishte ai që do ta nënshkruante traktatin mes dy vendeve në dhjetor 1944:
       Kërkesën për të dërguar në Jugosllavi një delegacion qeveritar të nivelit më të lartë, të kryesuar nga unë, ne ua kishim drejtuar shokëve jugosllavë shumë kohë më parë. Me vajtjen e këtij delegacioni zyrtar atje, ne synonim të hidhej një hap tjetër i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore reciproke midis vendeve, popujve dhe partive tona… Udhëheqja jugosllave na u përgjigj se në parim ishte dakord që në një moment të përshtatshëm ta priste delegacionin e nivelit më të lartë, por shkuan muaj të tërë dhe përgjigjia vazhdonte të mbetej pozitive vetëm se «në parim». E justifikonin këtë zgjatje me hallet dhe problemet e shumta që kishin dhe patjetër, kjo ishte një arsye që qëndronte. Por, në të njëtën kohë, shihnim edhe diçka tjetër: nga njëra anë shokët jugosllavë ishin «shumë të zënë» me punë e me halle e «s’ mund të pritnin dot shpejt» delegacionin e kryesuar nga unë, nga ana tjetër Gjilasi, Kardeli dhe vetë Titoja gjenin kohë të pritnin e të bënin biseda të gjata edhe me delegacione rinie apo grupe pune tonat që shkonin atje, gjenin kohë bile të pritnin edhe Liri Gegën! S’ po flas këtu për Koçi Xoxen, Nako Spirun e e Sejfulla Malëshovën (ky para se të dënohej), që, kur shkonin në Beograd, priteshin sa Koçi »nuk ma llafoste dot».[ix]
      Në këto rreshta të kujtimeve të Hoxhës ndihet sa dëshira e vasalit për t’ u lejuar t’ i bënte nderimet senjorit, aq edhe frika e shkaktuar nga refuzimi i këtij të fundit. Hoxha e shpjegon kështu refuzimin e jugosllavëve që ai të bënte një vizitë zyrtare në Beograd:
       Pas minave që na vunë në Berat pritnin të eliminohesha shpejt nga udhëheqja (ata e dinin se në Byronë e dalë nga Berati isha një kundër katërve, për të mos thënë një kundër të gjashtë shokëve), dhe, për rrjedhim, ata pritnin zëvendësimin tim e delegacionin ta kryesonte ai që do të më zinte vendin, miku i tyre më i mirë, Koçi Xoxe.[x]
      Duket qartë se Hoxha ishte rrëmbyer nga paniku dhe i kalonte ditët me tmerrin  e rrezikut të dyfishtë, si nga invadimi britanik nga deti, ashtu dhe nga eliminimi prej jugosllavëve. Në këtë rrethanë Hoxha bënte gjeste absurde si ai kur në 4 janar 1945, u çoi një notë qeverive të BS, SHBA, Britanisë së Madhe dhe Francës, por jo edhe Jugosllavisë, ku kërkonte njohjen e së ashtuquajturës qeveri demokratike të Shqipërisë, ku Hoxha firmon si:
       Kryetar i Këshillit të Ministrave të Qeverisë demokratike të Shqipërisë.[xi]
      Sigurisht që Hoxha e bëri këtë gjë me udhëzimin e jugosllavëve, por është qesharake që Hoxha nuk guxonte të kërkonte zyrtarisht njohjen e qeverisë së tij nga Jugosllavia të cilën e quante si miken dhe aleaten më të ngushtë. Nga kjo kuptohet qartë se çfarë raporti ekzistonte në atë kohë mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Epigrami i asaj që ndodhi me Shqipërinë të nesërmen e ditës që Hoxha  hyri në Tiranë, pra në 29 nëntor, që më pas do të shpallej si dita e çlirimit të Shqipërisë, do të ishte se Shqipëria, në këtë ditë në të cilën për të përfundoi Lufta e Dytë Botërore humbi edhe Luftën e Tretë Botërore. Këtë e them në sensin që, për Perëndimin dhe pjesën më të madhe të botës, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, lufta e ardhshme botërore shikohej si lufta me Bashkimin Sovjetik dhe aleatët e tij komunistë, ndërsa humbja në këtë luftë konceptohej si pushtim nga sovjetikët ose aleatët e tyre komunistë, si dhe si instalim i regjimit komunist. Pikërisht kjo gjë ndodhi me Shqipërinë në atë kohë. Regjimi që erdhi në fuqi në nëntor 1944 mund të quhet si regjim kolaboracionist i pushtuesve të parë të Shqipërisë në Luftën e Tretë Botërore, atyre jugosllavë. Në sajë të regjimit të ri, ky pushtim u krye pa agresion ushtarak, por vetëm me konspiracion. Partia Komuniste e Shqipërisë, e krijuar në 1941, pasi kishte zbatuar pjesën e parë të agjendës, atë të puçit në pushtim, tashmë, pas «çlirimit» po e finalizonte si pushtim me puç. Në këtë pushtim të parë të Shqipërisë gjatë «Luftës së Tretë Botërore», që do të zgjaste nga viti 1944 në vitin 1948, do të kishte shumë deja vu të pushtimit fashist, që nga ajo e çuarjes së kurorës në Romë në 1939, deri tek karikatura e gjyqit special ndaj kolaboracionistëve të pushtuesve fashistë, në 1945.
      Madje nuk do të mungonte as «Manteli i centaurit» që i munduri i linte si dhuratë fituesit, me kompleksin arkitektonik që fashizmi ia bëri dhuratë regjimit komunist, si një hakmarrje që përmbushet në dihotominë sundim-ndëshkim. Hoxha dhe Xoxe do të vendoseshin me zyra në ndërtesa pothuajse përballë njëra-tjetrës, në korpusin e ministrive, të ndërtuara nga Italia fashiste, atje ku bulevardi i madh takohet me sheshin “Skënderbej”. Hoxha e kishte zyrën në selinë në kryeministrisë, saktësisht në ndërtesën pranë Bankës së Shqipërisë, ndërsa Xoxe në ndërtesën në anën tjetër të rrugës, ku ishte Ministria e Brendshme. Kjo krijonte përshtypjen sikur të dy e mbanin sopatën virtuale nga bishti, duke qëlluar me të shoqërinë shqiptare dhe njëkohësisht duke kërkuar që t’ ia rrëmbenin njëri-tjetrit nga dora. Por raporti i Hoxhës me sopatën virtuale, shprehte dhe më mirë gjendjen dualiste të tij në atë kohë. Hoxha kishte dhe një zyrë tjetër në selinë e Komandës së Përgjithshme, e cila u vendos në ndërtesën në krye të bulevardit të madh, atje ku sot është korpusi qendror i universitetit. Kështu, Hoxha në zyrën e tij të kryeministrit, në ndërtesën në skaj të bulevardit të madh, që shërbente si bisht i sopatës virtuale, dukej sikur e e kishte rrokur në dorë për bishti atë. Por Hoxha gjithashtu, në zyrën e tij në selinë e Komandës së Përgjithshme, atje ku formohej tehu i sopatës virtuale, çka do të thotë se ai e kishte njëkohësisht tehun e sopatës pranë kokës.
      Kjo simbolikë shprehte më së mirë frikën dhe pasigurinë e Hoxhës në atë kohë, se “sopata” që ishte mprehur në plenumin e Beratit nga jugosllavët dhe Xoxe do të binte mbi kokën e tij. Në underground të regjimit të ri, gjërat qenë ndryshe nga ç’ dukeshin publikisht. Derisa publikisht Hoxha ishte zoti i padiskutueshëm i vendit, duke qenë në majë të piramidës së dukshme të regjimit të ri, ai tashmë kishte humbur kontrollin e qendres sekrete të pushtetit, në nëntokën e saj.
      Xoxe, me anë të dy posteve-kyç që mbante, atë të sekretarit organizativ të partisë (i quajtur ndryshe sekretar i Komitetit Qendror për kuadrot), që kontrollonte emërimin e kuadrove në çdo post partiako-shtetëror, si dhe të Drejtorit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (paraardhëse e Sigurimit të Shtetit), me anë të së cilës kontrollonte me metoda policore partinë dhe vendin, ishte bërë numri 2 i regjimit të ri, me pushtet të madh efektiv. Në letrën që Komiteti Qendror (CEKA) i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik i dërgonte Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në 27 mars 1948 thuhej për modelin partiako-shtetëror jugosllav:
       Është karakteristike që, Sekretari i Komitetit Qendror të Partisë për Kuadrot është Ministri i Sigurimit të Shtetit. Me fjalë të tjera kuadrot e Partisë janë dhënë në fakt, nënë vëzhgimin e Ministrit të Sigurimit të Shtetit. Sipas teorisë Marksiste, Partija duhet të kontrollojë gjithë organet shtetnore të vendit, duke përfshirë edhe Ministrinë e Sigurimit të Shtetit, kurse në Jugosllavi ngjet diçka e kundërt, se Partinë në fakt e kontrollon Ministrija e Sigurimit të Shtetit.[xii]
      Ironikisht këtë kritikë e bënte Stalini, i cili e pati marrë dhe mbajtur nën kontroll partinë, madje e mbante ende, me anë të GPU-NKVD! Por Tito me sa dukej akuzohej thjesht se e kishte formalizuar këtë praktikë. Xoxe përdorte tagrin e dyfishtë që kishte ai për të vendosur për të gjitha emërimet e kuadrove në piramidën partiako-shtetërore, si dhe për kontrollin e llojit të policisë politike mbi ta, ashtu që të merrte nën kontroll efektiv edhe qeverinë, administratën, ushtrinë, pa folur për shërbimin sekret që e kontrollonte drejtpërdrejt. Në 20 maj 1946 ministri fuqiplotë sovjetik në Tiranë. Dimitri Çuvahin, në një raport që i çon Moskës thotë kështu për një takim të vetin me Hoxhën:
       Enver Hoxha nënvizoi se pas Konferencës së Beratit, ai qe mënjanuar nga drejtimi aktiv i punëve të Partisë, megjithëse formalisht vazhdonte të ishte Sekretar i Parë i saj. Sipas fjalëve të tij, drejtimi i Partisë faktikisht i kaloi Komisionit të kuadrove me në krye Koçi Xoxen.[xiii]
      Çuvahin e ka fjalën për Plenumin II të Komitetit Qendror të PKSH, që u mbajt në Berat, në nëntor 1944.  Hoxha kishte të drejtë të ankohej se ai shikonte t’ i rrëshqiste pushteti efektiv nga duart si rëra në pëllëmbën e dorës. Në Berat Xoxe kishte thënë hapur se jugosllavët donin që ai të ishte një lloj shefi i përgjithshëm i burokracisë së regjimit, e cila do të shndërrohej në gardën e tij pretoriane me anë të së cilës do të kontrollonte regjimin:
       Ashtu si nuk kish perspektiva në punët e tjera, Partia nuk kish edhe mbi problemin e kuadrove. Shikoheshin problemet e sotme e të nesërme, ato dilnin para nesh e na pengonin dhe, më mirë rronim me sot me nesër. Tani për të përmbysur këtë situatë dhe me perspektivat e eksperiencën që morëm nga shokët jugosllavë po ndërtojmë një politikë të drejtë kuadrosh. Kemi krijuar komisionin e kuadrove, kemi shpërndarë formularët, kemi caktuar kuadrovikët nëpër komitetet e prefekturave, nënprefekturave dhe qyteteve dhe tani dita ditës po ngarkohen përgjegjës për kuadro në çdo celulë. I gjithë ky aparat tash e tutje do të interesohet për kuadrot, do të bëjë politikën e kuadrove.[xiv]
      I gjithë ky aparat komandohej nga Xoxe, saktësisht siç kishte thënë për vetveten në raportin që mbajti në Plenumin e Beratit:
       Sekretari organizativ do të realizojë politikën e kuadrove me anën e komisionit të kuadrove dhe në terren me anën e kuadrovikut... Në ushtri kuadroviku zgjidhet në byronë e batalionit dhe zv. Komisari i brigadës është siç është sekretari i komitetit qarkor, që bën politikën e kuadrove të brigadës... Cili do të jetë kuadrovik?.. Dëshirohet nga Partia të jetë punëtor. [xv]
      Ishte e qartë se Xoxe kishte marrë shumë pushtet, sipas shembullit të numrit 2 të regjimit në Jugosllavi, Aleksandër Rankoviç. Hoxha, i trembur se Xoxe do ta eliminonte, reagoi sipas natyrës së vet prej Tarasi Herman. Nga njëra anë ai u vetizolua dhe u bë apatik, duke ia lënë Koci Xoxes pushtetin efektiv, ndërsa në anën tjetër përpiqej të tregohej kampion i kryerjes së udhëzimeve të jugosllavëve, për ndërtimin e shoqërisë staliniste në Shqipëri. Se sa i madhe ishte frika dhe vetëizolimi i Hoxhës në atë kohë del nga kjo e dhënë që jep vetë, për periudhën pas ardhjes në pushtet:
       Mbledhjet e Byrosë, ashtu si gjatë viteve të luftës, edhe në këtë periudhë i bënim natën. Kryesisht mblidheshim në shtëpinë time, izolonim njërën nga dhomat që e përdorja për punë dhe vazhdonim të diskutonim shpesh gjer afër mëngjesit.[xvi]
      Që Hoxha ishte bërë pasiv në këtë periudhë, këtë e pohon dhe vetë Xoxe, i cili në letrën që i çon nga burgu në 23 shkurt 1949 Komisionit të Posaçëm Hetimor, tregon për një episod në një mbledhje të Byrosë Politike, në 1946, kur u shtrua çështja e rishikimit të Plenumit të Beratit:
       U bisedua çështja që shtronte shoku Enver se është spostuar puna dhe unë këtë nuku e kam pranuar duke e motivuar, ashtu siç e shpreha më lart, s’ kam pranuar pasivitetin e Sekretarit të Përgjithshëm si rezultat të Beratit, por si pasivitet që vetë ai kishte rënë, mbasi thashë se mbi këtë unë i kisha folur disa herë më 1945 dhe 1946.[xvii]
      Xoxe sigurisht që nuk mërzitej nga pasiviteti i Hoxhës, por ai e thotë saktë se ishte Hoxha që kishte rënë në pasivitet të thellë, aq sa Xoxe ndonjëherë shqetësohej për këtë gjë se mos tek jugosllavët krijohej përshtypja se ai e mbante Hoxhën nën kontroll policor. Por Xoxen e shqetësonte pasiviteti i Hoxhës edhe për një arsye tjetër. Xoxe kishte frikë se mos më vonë Tito ndiqte shembullin e Stalinit, që i eliminonte ministrat e brendshëm pasi i bënte t’ i shërbenin për spastrime. Prandaj Xoxe kujdesej që për aksionet e terrorit shtetëror të regjimit të kishte urdhërin e Hoxhës, të cilin ky qe i lumtur ta jepte se me këtë u tregonte jugosllavëve devocionin e vet. Por Hoxha e kishte interpretuar gabim mbështetjen që jugosllavët i kishin dhënë Xoxes në plenumin e Beratit për ta atakuar Hoxhën. Jugosllavët nuk kishin pasur si qëllim që të përgatisnin eliminimin e afërt të Hoxhës, me anë të Xoxes siç mendonte Hoxha, por vetëm që të kundërbalanconin Hoxhën, i cili kishte ardhur në Berat shumë i fuqishëm. Jugosllavët donin që në Shqipëri të kishte një diktaturë pa diktator, ose më saktë ku të kompetonin dy udhëheqës për vendin e diktatorit. Kështu që ata të dy do të drejtoheshin në Beograd për arbitrim. Këtë gjë jugosllavët e donin deri në momentin që do ta aneksonin Shqipërinë, se deri atëherë  mbështetja e Jugosllavisë do të ishte stimuli më i mirë për udhëheqësit shqiptarë, në garë për diktator, që të realizonin agjendën jugosllave të bashkimit të dy vendeve. Në periudhën pas Beratit, kjo taktikë e jugosllavëve u vu seriozisht në rrezik nga apatia që tregonte Hoxha i terrorizuar në Berat, i cili e shikonte Xoxen si lepuri kobrën. Ironikisht do të qenë jugosllavët ata që u munduan ta nxjerrin Hoxhën nga kjo gjendje. Për këtë do të tregonte vetë Hoxha i cili në 9 qershor 1946, në mbledhjen e Byrosë Politike ku paraqiti «Tezat për rishikimin e Plenumit II të KQ të PKSH», do të thoshte për regjisorin jugosllav të plenumit të  Beratit, Velimir Stoiniç, i cili tashmë i bërë ministri jugosllav në Tiranë:
       Shumë muaj pas Plenumit të Beratit ai vinte te unë dhe përpiqej të më mbushte mendjen se unë isha me të vërtetë Sekretar i Përgjithshëm, Kryeministër, udhëheqës kryesor i popullit, prandaj duhej të merrja punën në duar dhe të drejtoja efektivisht. [xviii]
      Këto fjalë të Stoiniç duhej ta shkundnin Hoxhën dhe ta nxirrnin nga apatia. Por Hoxha sikur kishte pësuar një shok në plenumin e Beratit. A thua sikur goditja që mori atje preku një pikë të dobët në trurin e tij, me gene të fjetura të trashëgimisë së marrëzisë gjirokastrite, duke bërë që ai të kalonte në një depresion, nga i cili do t’ i duhej kohë që të dilte. Ironikisht, Velimir Stoiniç, koloneli i OZNA, i cili në Berat kishte pasur detyrën e prokurorit penal të Hoxhës, tashmë ishte i detyruar të bënte psikoanalistin e tij, për ta nxjerrë nga gjendja ku e kishte futur ai vetë, duke e kryer më mire se ç’ duhej detyrën e vet në Berat.
      Tashmë çdo gjë ushqente paranojën e Hoxhës, edhe konspirativiteti i regjimit të ri, i cili i prishte planet teatrale të Hermanit- Taras. Ai u mërzit së pari që nuk e lejuan të mbante nom du guerretë vet për mbiemër, sipas shembullit të Stalinit dhe Titos. Hoxha, pas luftës, nuk imitoi Josip Broz Titon, i cili vazhdoi  të mbante zyrtarisht për mbiemër pesudonimin e kohës së ilegalitetit dhe luftës, gjë që Tito nga ana e tij e kishte bërë duke imituar Lenin, Stalinin dhe shumë bolshevikë të tjerë. Stalini e kishte bërë këtë kjo modë e liderëve të revolucionit bolshevik i konvenoi Stalinit, ashtu që të evitonte mbiemrin e vet gjeorgjian, që tingëllonte ekzotik në Rusi. Tito kishte bërë të njëjtën gjë, sa për të ndjekur modelin sovjetik, aq edhe për krenari të reputacionit që kishte fituar gjatë luftës nom d’ guerrei tij, çka ishte kapitali i vet kryesor të cilit po ia merrte dividendët me sundim. Hoxha do të kishte dashur sigurisht që të bënte gjë, jo vetëm për të ndjekur shembullin e Stalinit dhe Titos, por edhe për të treguar devocionin e tij ndaj Bashkimit Sovjetik, si edhe për të evituar mbiemrin e vet klerikal islamik, «Hoxha». Atij i pëlqente mbiemri «Hoxha» në pozicionin e ri ku gjendej, aq pak sa ç’ i pëlqente Stalinit mbiemri «Xhugashvill», kur erdhi në pushtet. Hoxha nuk e ka shpjeguar kurrë përse nuk e mbajti për mbiemër pas luftës pseudonimin e vet të kohës së luftës.
      Në dimrin e 1944-1945 gjithsesi dukej se në cdo moment Hoxha mund të merrte një nom du guerre dhe të largohej ilegalisht nga Tirana në male, për të kaluar në Jugosllavi. Disa ditë pasi Hoxha hyri në Tiranë britanikët  filluan një aksion ushtarak në Greqi për spastrimin e vendit nga forcat e armatosura komuniste. Hoxha e shikonte ndërhyrjen britanike si rrezikun iminent për regjimin e tij. Në dhjetor 1944, regjimi i ri shqiptar priste me aq siguri një zbarkim të britanikëve në bregdetin shqiptar, saqë forcat kryesore të tre korparmatave nga të cilat përbëhej ushtria partizane u dislokuan në bregdet për të pritur një mësymje në atë drejtim. Në 16 dhjetor 1944 Hoxha, në cilësinë e Komandantit të përgjithshëm të ushtrisë partizane, dhe sigurisht i shtyrë nga jugosllavët, i çonte një urdhër Shtabit të Korparmatës I, në hyrjen e të cilit thuhej:
       Mbeturinat e reaksionit të brendshëm po mundohen që të konservojnë veten e tyre, për të mundur që të riorganizohen porsa që t’ ua lejojë gjendja dhe njëkohësisht po mundohen që të gjejnë një mbështetje efektive, morale, politike dhe materiale në reaksionin e jashtëm. Është detyra jonë që të mos dehemi nga sukseset e shkëlqyera, që kemi korrur deri më sot dhe të biem në pasivitet, pa parashikuar çdo eventualitet dhe pa marrë masat preventive PËR TË MBROJTUR ME ARMË POPULLIN DHE INDIPENDENCËN QË E KEMI FITUAR ME GJAKUN E MIJËRA DËSHMORËVE, ME SAKRIFICAT E NJË USHTRIE DHE TË NJË POPULLI TË TËRË. Këto masa preventive duhet t’ i marrim menjëherë, në fshehtësinë më të madhe, dhe të pregatitemi qysh tashti për çdo eventualitet.[xix]
      Hoxha këtu qartësisht donte të thoshte se aleatët perëndimorë mund të zbarkonin në bregdetin shqiptar dhe në bashkëpunim me forcat antikomuniste në Shqipëri të përmbysnin regjimin e ri. Ajo çka të bën përshtypje është se armiku i brendshëm quhet «mbeturinat e reaksionit të brendshëm», çka do të thotë se nuk bëhet fjalë për ish-kolaboracionistët e pushtuesve të huaj, por për të gjithë ata që refuzonin regjimin e ri. «Reaksion» në terminologjinë komuniste quhej ajo pjesë e popullsisë që refuzonte aktivisht regjimin komunist. Që armiku pritej nga bregdeti kjo kuptohet qartë kur Hoxha thotë më tutje në këtë urdhër:
       Të lëvizim forcat në mënyrë të tillë që:
Të jemi në gjendje të mbrojmë bregdetin, prej Shkodre e deri në Sarandë, gjithashtu edhe kufinjtë tokësorë të Jugut.[xx]
      Dhe në atë kohë të vetmit që mund të rrezikonin regjimin e ri me një sulm nga deti qenë aleatët perëndimorë. Siç do të tregoj më tutje, për mbrojtjen e kufijve jugorë (sa për kufijtë veriorë dhe verilindorë quheshin të sigurt për shkak se në atë anë qe Jugosllavia) do të angazhoheshin vetëm një pjesë e vogël e forcave partizane, çka do të thotë se sulmi kryesor nuk pritej andej, por nga deti, nga aleatët perëndimorë. Dhe kjo dukej e natyrshme, se në atë kohë ushtria qeveritare greke (antikomuniste) kishte të tjera probleme dhe nuk mund të mësynte Shqipërinë. Hoxha, i cakton Korparmatës I detyra specifike për mbrojtjen e një sektori në bregdet:
       Korparmata I të dislokojë forcat e saj në mënyrë të tillë që të jetë në gjendje TË MBROJË SEKTORIN DURRËS-VLORË dhe TË KONTROLLOJË QARKUN E DURRËSIT (përveç KRUJËS), TIRANËS, ELBASANIT, RRETHIN E FIERIT DHE VLORËN. (Pikat më me rëndësi të mbrojtjes eventuale në sektorin e Korpusit I, të rreshtuara sipas rëndësisë së tyre janë: Durrësi, Vlora dhe Semani. Bazat më me rëndësi në prapavijat e krahinës ushtarake janë: Tirana, Elbasani).[xxi]
      Edhe Korparmata II, në 16 dhjetor 1944 mori nga Hoxha të njëjtin urdhër për të dislokuar forcat kryesore në mbrojtjen e bregdetit. Pas një preambule të ngjashme me atë të urdhrit të dhënë Korparmatës I, në urdhrin për Korparmatën II thuhej:
       Korparmata II do të dislokojë forcat e saj në mënyrë të tillë që të jetë në gjendje TË MBROJË SEKTORIN HIMARË-SARANDË DHE SEKTORIN KONISPOL-KORÇË-POGRADEC E TË KONTROLLOJË QARKUN E GJIROKASTRËS, KORÇËS E BERATIT (përveç FIERIT). Pikat më me rëndësi të mbrojtjes eventuale në sektorët e Korpusit II, të rreshtuara sipas rëndësisë së tyre janë Saranda, Himara, Gjirokastra dhe Konispoli, Korça, Leskoviku.[xxii]
      Edhe këtu qartësisht, si rrezik kryesor shihej një zbarkim i aleatëve perëndimorë në bregdet, derisa pikat më të rëndësishme të mbrojtjes caktoheshin Saranda dhe Himara. Konispoli, i cili është në jug të Sarandës, dhe që mund të rrezikohej nga një sulm tokësor, është i katërti në radhë për nga rëndësia. Po në 16 dhjetor 1944, Hoxha urdhëronte dhe Korparmatën III:
       Korparmata III të dislokojë forcat e saj në mënyrë të tillë që të jetë në gjendje TË MBROJË SEKTORIN SHKODËR-ISHËM dhe të KONTROLLOJË QARKUN E SHKODRËS, KUKËSIT E DIBRËS SI DHE KRUJËN. (Pikat më me rëndësi të mbrojtjes eventuale në sektorin tuaj të rreshtuara sipas rëndësisë së tyre janë Shëngjini, Miloti, Shkodra, Kruja.[xxiii]
      Edhe këtu si detyra kryesore jepet mbrojtja e bregdetit nga Shkodra në Ishëm, duke u cilësuar si pikë kryesore ku mund të bëhej zbarkimi porti i Shëngjinit. Hoxha kishte të drejtë që priste me kaq siguri një msymje të aleatëve perëndimorë nga deti. Atë që britanikët bënë në Greqi, mund ta bënin edhe më lehtë në Shqipëri. Rezistenca që do t’ i bënte ushtria partizane msymjes britanike nga bregdeti ishte e papërfillshme dhe do të shthurrej shpejt. Ushtria partizane ishte e armatosur keq, e përbërë në pjesën më të madhe nga njerëz të mobilizuar me forcë pas majit 1944, dhe veç këtyre kishte pasiguri në prapavija, ku pritej të hidheshin në veprim forca konsistente antikomuniste, me të zbarkuar aleatët perëndimorë. Në rast të një zbarkimi britanik, ushtria partizane kishte marrë urdhër që të tërhiqej në thellësi të vendit, pas një rezistence simbolike. Hoxha në urdhrin e vet porosit:
       Mbrojtja e sektorëve të ndryshëm duhet të bëhet duke u bazuar në TAKTIKËN  tonë PARTIZANE, me njoftimet e së cilës duhet të pajisen të gjitha Shtabet: Të mos rreshtohen forcat në një vijë të vetme të vazhdueshme por të qëndrojnë të grumbulluara në pika të ndryshme, për batalione ose për brigade, duke lënë në pikat e para të mbrojtjes një pjesë të domosdoshme të forcave dhe pjesa më e madhe të vendoset më prapa e grumbulluar, gati për ndërhyrje dhe për të plotësuar eventualisht manovrën.
Rezistenca jonë është rezistencë dinamike, e përpjesshme dhe e përkohshme, d.m.th. jo një rezistencë passive, e ngurtë, por AKTIVE, duke përdorur si element kryesor të rezistencës KUNDËRSULMIN dhe MANOVRËN.[xxiv]
      Hoxha në kohën kur firmonte këto urdhra, nuk do të habitej në rast se e zgjonin natën për t’ i thënë se kishin zbarkuar aleatët perëndimorë. Përndryshe, me kalimin e ditëve ai habitej që ky zbarkim nuk po ndodhte. Sot mund të thuhet me siguri se ky zbarkim nuk ndodhi për shkak se amerikanët nuk qenë të prirur, jo më të merrnin pjesë në aksionet ushtarake antikomuniste në stil të gjerë në Ballkan, por as të mbështesnin tërthorazi britanikët për t’ i kryer ato. Amerikanët nuk e mbështetën ndërhyrjen britanike në Greqi, duke refuzuar kërkesën britanike për anije për transportin e trupave britanike dhe furnizimin e tyre. Në retrospektivë, mund të thuhet me siguri se amerikanët nuk ndanin që herët të njëjtin shqetësim strategjik me britanikët, për zgjerimin deri në bregdetin ballkanik mesdhetar të regjimeve komuniste, çka në Londër shihej si zgjerim i zonës sovjetike të influences. Kjo kqyrej si cenim i një vije të kuqe gjeopolitike tradicionale që Britania e Madhe i kishte hequr marshimit historik rus prej më tepër se një shekulli. Amerikanët e shikonin praninë konsistente ushtarake sovjetike në një zonë influence sovjetike në Europë si justifikimin e pranisë ushtarake afatgjatë amerikane në Europë, gjë që ishte në planet e qendrave të vendim-marrjes në Washington, pavarësisht atyre që thuheshin publikisht në momentet e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe fill pas përfundimit të saj. Në këtë vizion gjeopolitik amerikan të botës së ndarë, Greqia apo edhe Shqipëria nuk kishin atë rëndësi imediate që u jepnin atyre britanikët, edhe pse sigurisht që kishin rëndësi të madhe në pikëpamje më afatgjatë.
      Aksioni ushtarak në stil të gjerë në Greqi e ezauroi deri në limitet e saj fuqinë ushtarake britanike, e cila, të mos harrojmë përballonte në atë kohë luftime në dy fronte, në Europë kundër gjermanëve, si dhe në Azi kundër japonezëve. Britanikët, në dhjetor 1944 qenë duke angazhuar deri në pesë divizione në Greqi dhe me këto forca mundën të kontrollonin vetëm zonat bregdetare dhe ishujt. Për një kontroll të zonave kryesisht malore të thellësisë së prapatokës greke duheshin së paku edhe dy herë aq forca, çka britanikët nuk i kishin në atë kohë. Ata ia lanë qeverisë greke detyrën herkuliane të kontrollit të prapatokës, çka rezultoi një detyrë e pamundur, siç u pa me  rifillimin e luftës civile, e cila vazhdoi deri në 1949. Një operacion britanik në Shqipëri, i ngjashëm me atë në Greqi, në analogji me gjermanët, do të kërkonte së paku tre divizione si fillim, ndërsa për të marrë nën kontroll gjithë vendin, do të duheshin pesë divizione. Britanikët në atë kohë thjesht nuk i dispononin këto forca të lira në Mesdheun lindor.
      Hoxha dhe jugosllavët, të cilët qëndronin pas vendim-marrjes së tij, sigurisht që nuk i dinin nuancat e marrëdhënieve britaniko-amerikane, dhe qenë të bindur se, pas Greqisë, e kishte radhën Shqipëria për t’ u invaduar nga britanikët. Një tregues i qartë i kësaj frike është fakti se në dhjetor 1944 në Beograd u nënshkrua një traktat sekret aleance dhe ndihme reciproke midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, edhe pse qeveria jugosllave nuk e kishte njohur ende zyrtarisht atë shqiptare. Me sa dukej jugosllavët llogarisnin që traktati të shpallej menjëherë porsa ata ta njihnin qeverinë e re shqiptare, në rast të një invadimi britanik të Shqipërisë. Por traktati nuk u bë publik se jugosllavët deshën të marrin lejë në Moskë për këtë gjë. Stalini, i vënë në dijeni për këtë çështje nga të dërguarit e Titos në janar 1945, siç e kam treguar më lart, sugjeroi që shpallja e traktatit, çka do të thoshte edhe njohja e qeverisë shqiptare nga ajo jugosllave, të shtyheshin për më vonë. Madje Stalini shkoi më tutje duke i këshilluar jugosllavët, me urtësinë e vet realpolitike, të shprehur sipas stilit të tij, me cinizëm. që ta quanin të humbur Shqipërinë, në rast se britanikët zbarkonin atje, si në Greqi:
       Shoku Stalin tha se meqënëse Jugosllavia ka marrë angazhime sipas traktatit, ajo duhet t’ i plotësojë. Në qoftë se situata ndërlikohet, a është në gjendje ajo të luftojë kundër Anglisë, a i ka forcat të mjaftueshme? Ja, kjo është edhe një tjetër çështje. Lidhur me Shqipërinë duhet vrarë mendja. Anglezët njohin vetëm forcën.
      Shoku Stalin tha se nuk ia vlen të luftohet kundër Anglisë. Duhet pritur ca, duhet peshuar mirë çështja e lidhjeve me Shqipërinë. Fakti që traktati i ndihmës reciproke ende nuk qenka ratifikuar dhe as shpallur është një gjë e mirë. Këshilloi që traktati të mos publikohet deri në muajin shkurt.[xxv]
      Me këtë Stalini ua bëri të qartë të dërguarve të Titos se, në rast se Jugosllavia do të gjendej e implikuar në një luftë me Britaninë e Madhe, për shkak të ndërhyrjes britanike në Shqipëri, atëherë në këtë luftë nuk duhet të priste mbështetjen sovjetike, por duhet që ta përballonte e vetme atë. Stalini, kur kërkoi që shpallja e traktatit të shtyhej deri në shkurt, kishte në mendje Konferencën e Tre Të Mëdhenjve, që do ta mbahej në Yalta, në gjysmën e parë të shkurtit. Traktati jugosllavo-shqiptar do të kishte impakt në Konferencën e Yalta-s, për shkak se do të shihej si një ekspansion i tërthortë sovjetik në Shqipëri, në Otranto. Traktati jugosllavo-shqiptar solli mosmarrëveshjen e parë serioze mes Stalinit dhe Titos, çka kuptohet kur Stalini u tha të dërguarve të Titos në janar 1945:         
       Do të ishte mirë të dinit edhe mendimin tonë para se të merrni vendime të rëndësishme, ndryshe ne do të gjendemi në një pozitë të vështirë.[xxvi]
       Stalini kishte parasysh faktin se Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia gjendeshin në prag të nënshkrimit të një traktati të miqësisë dhe ndihmës reciproke, gjë që u bë pas tre muajsh, në prill 1945. Hoxha, i cili nuk i dinte nuancat e marrëdhënieve jugosllavo-sovjetike, e ka interpretuar në mënyrën e tij paradoksin që ekzistonte në atë që qeveria jugosllave, edhe pse nuk e kishte njohur qeverinë e tij, nënshkruante me të një traktat kaq impenjativ. Hoxha nuk mund të mos mendonte se jugosllavët e kishin bërë këtë se nuk donin që ta njihnin qeverinë e re shqiptare, para se ta largonin atë nga pushteti.      
      Hoxha i gjendur në rrezikun e dyfishtë që i vinte, nga njëra anë, nga brenda klikës konspirative që sundonte vendin dhe nga ana tjetër, nga jashtë, prej britanikëve dhe jugosllavëve, u soll sipas natyrës së tij prej Tarasi-Herman. Ai, edhe në rrethanat e reja, nuk hoqi dorë nga luajtja e kartës së tij të vjetër, kunatit të vet, Bahri Omarit. Disa ditë pas 17 nëntorit 1944, kur forcat partizane morën plotësisht nën kontroll Tiranën, u arrestua Omari, i cili në atë kohë banonte në pallacinat e Tiranës së Re. Duket se konspiratori i vjetër e priste arrestimin, si pjesë të lojës, madje edhe gjyqin, por mendonte se do të lirohej për shkak të ndihmës që i kishte dhënë të ashtuquajturës lëvizjes nacional-çlirimtare, madje drejtpërdrejt kreut të saj, Hoxhës. Për këtë duhet të ketë pasur një marrëveshje mes tij dhe Hoxhës, derisa Omari nuk u largua nga Shqipëria në nëntor 1944, siç bënë shumë nga miqtë e tij. Omari, i cili ishte arratisur nga Shqipëria në 1924, në kohën kur Zogu po hynte në Tiranë, nuk mund të gabonte 20 vjet më vonë, në një situatë të ngjashme, duke mbetur në  Tiranë, në rast se nuk do të kishte garanci për jetën e vet, aq më tepër kur këtë herë kreu i regjimit të ri ishte kunati i dashur. Shkurt, Omari nuk mund të rrinte në Shqipëri, në rast se nuk kishte garanci nga vetë Hoxha për jetën e vet.
      Hoxha vetë, nuk do t’ i kishte thënë Omarit që të qëndronte, në rast se nuk do të ishte i sigurt se mund t’ ia shpëtonte jetën. Kjo dhe për faktin se Hoxha ishte shumë i lidhur me familjen, dhe nuk do të duronte dot qortimet e nënës dhe të motrës, për dënimin me vdekje të Omarit. Hoxhës i interesonte që Omari të dilte në gjyq, ku të merrte pafajësinë, sepse kështu largohej çdo hije dyshimi edhe për atë vetë, Hoxhën, për të cilin dihej se kishte jetuar për vite të tëra në shtëpinë e Omarit, gjatë kohës së pushtimit fashist. Në këtë sens, arrestimi i Omarit ishte brenda skenarit. Por Hoxhës i interesonte Omari edhe për një arsye tjetër, se ai nuk ishte aspak i sigurt për ekzistencën e regjimit të tij, dhe nuk do të habitej shumë nëse regjimi i tij do të shembej të nesërmen nga një ndërhyrje britanike. Në rast se do të krijohej një situatë, në të cilën regjimi do të shembej, Hoxha donte ta përdorte Omarin si ndërmjetës për të shpëtuar veten, dhe për t’ iu lejuar që të ikte në Perëndim. Kjo ishte arsyeja që disa persona kryesorë të regjimit që ishte në fuqi në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk u dënuan me vdekje nga gjyqi special, ku dolën bashkëpunëtorët e pushtuesve fashistë, por u mbajtën në burg për t’ u përdorur në çdo situatë. Të njëjtën gjë kishte planifikuar Hoxha të bënte edhe me Omarin.
      Por ç’ po ndodhte në ndërkohë me agjendën konspirative për përmbysje shoqërore? Në lidhje me këtë Hoxha do të thoshte në Kongresin I të PKSH, në 1948:
       Në revolucionet borgjeze ndryshimet në ekonomi sjellin ndryshimet në Pushtet, kurse në revolucionet popullore ndryshimi fillon menjëherë në Pushtet dhe i bie barra këtij të fundit, Pushtetit popullor, që të bëjë ndryshimet në ekonomi, të ngrejë sistemin ekonomik në pajtim me interesat e fitonjësvet të revolucionit, në pajtim me interesat e popullit punonjës. Është e vërtetë që puna për këtë ndryshim, ashtu siç thamë, nisi qysh në luftë e sipër; në luftë u goditën bashkë me okupatorin edhe trathëtarët, në luftë e sipër u bë edhe diferencimi i klasavet, por puna më e madhe në këtë drejtim mbetej mbas çlirimit.[xxvii]
      Kjo do të thoshte se e ashtuquajtura luftë çlirimtare antifashiste kishte qenë një puç ndaj shoqërisë dhe lufta do të vazhdonte. Nëse Hoxha kishte qenë një komandant fiktiv i një lufte fiktive kundër okupatorëve të huaj, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ishte sigurisht një komandant real në luftën reale, e cila filloi me ardhjen e regjimit të ri në fuqi. Kjo luftë e re do të vazhdonte deri në vdekjen e Hoxhës, madje edhe më tutje, dhe mund të definohet si lufta totale e regjimit të ri kundër popullit. Dëmet që do t’ i sillte kjo luftë Shqipërisë do të qenë të përmasave të tilla sa, ai që quhet tranzicion pas rënies së regjimit komunist, fare mirë mund të quhej si eliminimi i dëmeve të luftës (Luftës së Tretë Botërore) në Shqipëri. Lufta e regjimit të ri kundër shoqërisë shqiptare ishte totale dhe ajo përfshiu edhe ekonominë. Shqipëria kishte qenë i vetmi vend në Europë ekonomia e të cilit pati zhvillim të madh gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, për shkak të politikës që ndoqi Italia në vend. Në dhjetor 1946, shefi i Misionit të SHBA në Shqipëri Joseph Jacobs deklaroi hapur se Shqipëria nuk mund të kërkojë dëmshpërblime lufte nga Italia se Shqipëria:
       ka përfituar nga pushtimi italian në një shkallë më të madhe se sa ajo ka sakrifikuar gjatë pushtimit dhe shkatërrimeve të luftës, kështu që problemet i zgjidh vetë.[xxviii]
       Shkatërrimet në vend do të qenë minimale deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht nga miti historik që krijoi regjimi komunist se ai gjeti një vend të shkatërruar nga lufta. Vendi kishte rezerva të mëdha në mallra çka do të pohohej edhe në Kongresin I të PKSH në 1948 ku Gogo Nushi në raportin «Mbi pllanin ekonomik» do të thoshte:
       Në të vërtetë vlefta e frangut n’ atë kohë ishte shum’ e fortë dhe për të vetmen arsye se baza e tij ishin stoket e mbëdha që ekzistonin në vëndin tonë duke përfshirë edhe mallrat që vinin nga UNRRA.[xxix]
      Në vitin 1953, Hoxha do të thoshte në Plenumi IX të Komitetit Qendror të PPSH:
       Në vitin 1945, me përjashtim të buajve dhe të buallicave, blegtoria arriti të tejkalojë nivelin e paraluftës.[xxx]
      Kuptohet se kjo gjë erdhi për shkak se bagëtia në Shqipëri nuk kishte pësuar veçse dëme të vogla gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte ndër vendet e pakta europiane të përfshira në luftë, sistemi financiar i së cilës nuk kaloi në hyperinflacion. Një nga treguesit për këtë është fakti se, kur Hoxha erdhi në pushtet, në nëntor 1944, regjimi i ri e la në përdorim kartmonedhën e vjetër, jo vetëm në muajt e parë pas ardhjes së tij, por madje edhe pas shtatë muajsh, në qershor 1945, e gjeti me vend të bënte vetëm atë që u quajt surchargement (syrsharzhimi) i kartmonedhës. Me këtë banknotave dhe çeqeve të regjimit të vjetër u vihej një vulë për të qënë të vlefshme përkohësisht, derisa regjimi i ri të nxirrte monedhën e re. Hoxha tha në raportin që mbajti para KANÇ (parlamenti partizan), në shtator 1945:
       duke marrë parasysh rezultatet e syrsharzhimit të monedhës sonë, ku okupatori kishte bërë një inflacion të madh, rezultatet qenë të shkëlqyera. Nga mosparaqitja për syrsharzhim e monedhave dhe çekmonedhave arrijtëm në një pakësim të monedhës në qarkullim prej 85 814 060 franga shqiptare.[xxxi]
      Në rast se gjatë kohës së Luftës së dytë Botërore në Shqipëri do të ishte bërë inflacion kaq i madh sa ç’ thotë Hoxha, si shpjegohet që regjimi i ri e la në fuqi kartmonedhën ekzistuese, me vetëm 85 milion franga më pak? Dhe madje edhe këto para që mungonin duket se u përkisnin shqiptarëve të përtej kufirit shtetëror të 1913, të cilët nuk patën mundësi të përfitojnë nga surchargment-i se ky proces u zhvillua vetëm brenda kufijve të Shqipërisë së 1913. Kjo ishte një nga masat e regjimit të ri që i shtrinë efektet e tyre të këqija edhe tek shqiptarët në Jugosllavi, por që kishin qenë brenda kufijve të shtetit shqiptar në vitet 1941-44.
      Ajo çka nuk ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore me ekonominë në Shqipëri, ironikisht ndodhi pas saj, dhe përgjegjësinë për këtë e kishte regjimi i ri. Ekonomia e vendit u shkatërrua me disa goditje të kryera në zbatim të një agjende konspirative komuniste për përmbysjen e sistemit shoqëror. E gjithë kjo u bë sipas modelit leninist të «Komunizmit të luftës», të zbatuar në Rusi fill pas Revolucionit të Tetorit, deri në 1921, dhe që në Shqipëri filloi të zbatohej në dhjetor 1944, nga të dërguarit jugosllavë. Vladimir Dedijer shkruan në librin «Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare: 1939-1948», një libër ky që shprehte opinionin zyrtar të Beogradit për marrëdhëniet mes dy vendeve:
       Fill pas ardhjes së qeverisë shqiptare në Tiranë, në dhjetor 1944, si anëtar i komisionit ushtarak në Shqipëri u dërgua shoku Vojo Srzentiç, të punonte me cilësinë e instruktorit në lidhje me organizimin e drejtimit të punëve shtetërore dhe në lidhje me çështjet ekonomike... Shoku Vojo Srzentiç dha ndihmë të madhe veçanërisht në lidhje me çështjen e financave dhe të ekonomisë.[xxxii]
      Në Rusinë e asaj kohe, «Komunizmi i luftës», i cili konsistonte në masa drastike për kontrollin shtetëror të ekonomisë, në qytet dhe në fshat, duke i shndërruar prodhuesit dhe tregtarët virtualisht në skllevër të shtetit, u justifikua me faktin që Rusia bolshevike ishte në luftë të dyfishtë, në një luftë civile dhe në luftë me intervencionin ushtarak të fuqive të huaja antibolshevike. Në rastin e Shqipërisë, zbatimi i «Komunizmit të luftës», në mënyrë domethënëse, filloi kur mbaroi lufta. Kështu që komunizmit i luftës në Shqipëri ishte në fakt një shpallje lufte e regjimit kundër shoqërisë shqiptare. Gjendja ekononomike në Shqipëri në dhjetor 1944 nuk ishte aspak e tillë që të kishte nevojë të zbatohej modeli bolshevik rus i zbatuar në kushtet e krizës së skajshme ekonomike. Bato Tomasheviç, gazetari dhe diplomati i famshëm jugosllav (i mbijetuari i famshëm i aksidentit ajror të skuadrës së futbollit «Manchester United» në 1959, të cilin e shoqëroi në Beograd), i cili e vizitoi Shqipërinë si partizan dhe pjestar i një njësie të OZNA (shërbimi sekret partizan jugosllav) në dhjetor 1944, tregon në kujtimet përshtypjen e madhe që i bëri atij dhe shokëve të tij bollshmëria e ushqimeve në Shqipëri, në një kohë që në Jugosllavi kishte mungesa të mëdha:
       Unë pyesja veten se si ishte e mundur që, në Shqipëri ata hanin gjithë këto ushqime të mrekullueshme gjatë luftës, ndërkohë që ne ishim duke vdekur urie? Sigurisht që ne kishim qenë nën regjimin më të ashpër pushtues, ndërsa këtu italianët kishin shtruar rrugët dhe kishin mbushur dyqanet me mallra... Dyqanet ishin plot me mallra të të gjitha llojeve, disa të nderura në rrugë apo në banakë të drunjtë; dyqanxhinjtë rrinin në dyert e jashtme duke bërë reklamën e mallrave të tyre; gratë në rrugë ishin të lyera, të veshura mirë dhe me këpucë me taka. Unë isha i habitur me gjithë atë ndryshim sapo kaloje kufirin me Malin e Zi.[xxxiii]
      Bato Tomasheviç e përshkruan kështu drekën e parë që hëngrën në Shqipëri, në Shkodër, ai dhe shokët e tij:
       Pa asnjë fjalë më shumë, skuadra jonë iu vërsul ushqimit si një lukuni karkalecash , duke mbushur gojën me ëmbëlsira dhe ushqime të kripura njëherësh derisa në tavolinë mbetën pjatat e boshatisura. Të zotët e shtëpisë e shikonin këtë me një lloj shtangieje.[xxxiv]
       Zbatimi i komunizmit të luftës në Shqipëri ishte shembulli i parë zbatimit të një modeli, në sens  dogmatik, në mënyrë absurde, në një realitet të ndryshëm, dhe me pasoja destruktive, duke krijuar vërtet një krizë ekonomike të skajshme, si ajo e Rusisë në vitet 1918-1921. Në dinamikë të kësaj krize ishte kontrolli në rritje i ekonomisë së vendit nga ana e shtetit, kontroll që ishte një shtetëzim i kamufluar, në një kohë që shteti nuk qe në gjendje të bënte rolin që supozohej të bënte në ekonominë e planifikuar që kishte krijuar. Shtetëzimi i praktikisht i pjesës më të madhe të ekonomisë së vendit në qytete, gjegjësisht masa e parë e komunizmit të luftës në Shqipëri, erdhi me  ligjin e 15 dhjetorit 1944 «Mbi kontrollin e shtetit mbi industritë dhe shoqëritë shqiptare», me të cilin të gjitha ndërmarrjet industriale dhe tregtare viheshin nën kontrollin e komisarëve të emëruar nga shteti (Ministria e Ekonomisë), sipas modelit bolshevik të ditëve fill pas Revolucionit të Tetorit. Komisari merrte praktikisht të gjitha të drejtat e pronarit për prodhimin, shpërndarjen, pagat. Pronari as kishte të drejtë ta shiste pronën dhe as të bënte veprime bankare me të ardhurat e pronës së vet, pa kundërfirmën e komisarit. Pronari në fakt u shndërrua në një figurë dekorative që merrte vetëm një rrogë nga prona e vet. Që nga 24 dhjetori doli dhe kontrolli punëtor, një tjetër precedent ruso-bolshevik i ditëve të pas Revolucionit të Tetorit, dhe mori një rol të dukshëm përgjegjësi i kontrollit punëtor. Kështu u krijuar një kontroll i ashtuquajtur punëtor-shtetëror, që në fakt ishte një shtetëzim i kamufluar.
      Në janar 1945, regjimi i ri, në kuadrin e komunizmit të luftës, i shpalli luftë tregtisë private në vend. Hoxha pretendon se në këtë periudhë pati këtë bisedë me një tregtar, mikun e vet Syrja Selfo, i cili e kishte ndihmuar aq shumë financiarisht para luftës dhe gjatë saj:
       Kur çliruam Shqipërinë, Syrjai ishte i gëzuar. Një ditë e takoj dhe i them:
-Erdhi dita për të cilën luftuam, por lufta po vazhdon. Tash të gjithë tregtarëve do t’ u vemë taksat e luftës dhe këto do të jenë të rënda. Selfot do të jenë në mes këtyre.
Syrjai më tha:
-Zjarri t’ u hyjë nga fundi në krye, të tëra i merrni dhe unë do t’ ju ndihmoj. Unë vetëm dua të punoj, pa të tëra i konfiskoni.
Dhe kështu bëmë. Syrjai ishte me ne, ai kurrë nuk mund të ndahej nga ne.[xxxv]
      Por, puna e Syrja Selfos ishte tregtia dhe kjo ishte e ligjshme sipas ligjeve që kishte nxjerrë regjimi i ri. Hoxha këtu kërkon të na e paraqesë Syrja Selfon si «Lej Fenin» e parë të regjimit të ri. Një cinizëm i skajshëm ky për shkak se pas pak kohe Syrja Selfo do të pushkatohej nga regjimi, gjë për të cilën Hoxha katër dekada më pas do të akuzonte Xoxen, çka dukej hipokrizi se Syrja Selfo nuk u rehabilitua pas dënimit të Xoxes. Tatimi për të cilin flet Hoxha, tatimi i jashtëzakonshëm mbi fitimet e realizuara gjatë luftës nga tregtarët, u vendos që në janar 1945. Ligji përkatës parashikonte dhe konfiskimin e pasurisë së të tatuarit, kur nuk e paguante tatimin. Tatimi ishte konceptuar si instrument shpronësimi, derisa fletët e detyrimeve pasonin njëri-tjetrin. Kjo ishte një politikë fiskale në funksion të politikës së shtetëzimit të pronës së madhe dhe të mesme private. Në librin «Historia e Shqipërisë», botim zyrtar i regjimit, thuhet për këtë tatim:
       Rëndësia ekonomike e kësaj mase del qartë po të kihet parasysh se, më tepër se gjysma e shpenzimeve buxhetore të dy viteve të para pas çlirimit u përballuan kryesisht nga të ardhurat e vjela nga tatimi i jashtëzakonshëm... Tatimi i jashtëzakonshëm ishte një shprehje e thellimit dhe e ashpërsimit të luftës së klasave: ai goditi bazën financiare të kundërrevolucionit dhe e pajisi revolucionin me mjetet e nevojshme financiare, pa pritur që këto të akumuloheshin me metodat e zakonshme.[xxxvi]
      E gjithë kjo bëhej kur në Deklaratën e të drejtave të Qytetarit, të dalë në Berat, që kishte vlerën e një dokumenti kushtetues, thuhej se njihej e respektohej liria e pronës dhe nisma e lirë ekonomike. Tatimi i jashtëzakonshëm nuk synonte sigurisht mbledhjen e kartmonedhave, por konfiskimin e mallit dhe të arit, që kishin grumbulluar tregtarët dhe prodhuesit. Tatimi i jashtëzakonshëm mbi fitimet në kohën e luftës ishte krejt i pajustifikuar. Tregtarët në Shqipëri vërtet kishin pasur fitime të jashtëzakonshme në kohën e Luftës së Dytë Botërore, por kjo nuk erdhi për shkak të spekulimit të tyre me çmimet, por për shkak se politika ekonomike që ndoqi Italia dhe investimet e saj në ndërtime publike, miniera, bujqësi e rritën shumë fuqinë blerëse dhe për pasojë u shtua sasia e mallrave që hynin në vend. Në Shqipëri çmimet sigurisht që u rritën në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, por ato u rritën shumë më pak se në vende të tjera të Europës. Duke qenë se vendi kishte rezerva të mëdha mallrash, qeveritë shqiptare të kësaj kohe, nuk prenë para pa kufizim, duke u evituar inflacioni galopant, që ndodhi në vendet fqinje. Tregtarët vërtet kishin pasur fitime gjatë luftës, por ata i kishin përdorur ato për të blerë mallra industriale dhe prodhime bujqësore në Itali, Serbi, Bullgari, Rumani, Turqi.
      Nëse mund të akuzoheshin për ndonjë gjë tregtarët në Shqipëri, kjo nuk ishte se nxorrën fitime të jashtëzakonshme gjatë luftës, por se filluan të kufizojnë nxjerrjen e mallrave në treg duke krijuar rezerva, me të cilat mendonin të nxirrnin fitime të mëdha pas përfundimit të luftës. Gjithashtu tregtarët kishin grumbulluar flori, që përbënte kapital dhe mund të përdorej për investime. Shteti nuk duhej të vinte tatime të jashtëzakonshme por të bënte legjislacion për të favorizuar investimet. Në vend që regjimi i ri të stimulonte investimet nga kapitalistët shqiptarë që kishin grumbulluar mjetet të mëdha financiare, ai bëri të kundërtën, duke i privuar ata dhunshëm nga kapitali i tyre.
           Me tatimin e jashtëzakonshëm në 1945 regjimi i ri praktikisht e shkatërroi tregtinë në vend, ende pa ndërtuar një tregti shtetërore, saktësisht ashtu siç ndodhi në Rusi pas ardhjes së bolshevikëve në pushtet, me masa të ngjashme. Në qytete pati një krizë për ushqime dhe mallra të të gjitha llojeve, e cila nuk ishte njohur as në vitet e luftës. Vendi kishte hyrë në një krizë financiare se kartmonedha me të cilën nuk mund të blihej asgjë në treg nuk pranohej nga fshatarët të cilët kishin kaluar në tregti në natyrë. Një episod që përshkruan saktë përmasat e krizës financiare të vendit, na e jep në ditarin e vet shefi i Misionit të SHBA në Shqipëri, Jacobs, i cili shkruan në ditarin diplomatik, në 12 maj 1945, katër ditë pas mbërritjes së tij:
       Në orën 12 pa një çerek, më telefonoi z. Kostë Boshnjaku dhe z. Kol Kuqali, përkatësisht president dhe zëvendëspresident i Bankës së Shtetit Shqiptar. Në këtë takim asistoi dhe zoti Fultz. Këta dy xhentëlmenë më shfaqën disa shqetësime në lidhje me mundësinë e rivendosjes së marrëdhënieve financiare ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ata më thanë që shpresonin të lidheshin me një bankë korrespondente në Neë York, duke shfaqur preferencë për Bankën Kombëtare Chase... Duke pasur parasysh vështirësitë që kemi hasur për të siguruar monedhën lokale, unë shtrova me këta zotërinj çështjen e shitjes së një sasie ari ose dollarësh të vulosur me të verdhë, për të financuar nevojat e zyrës sime. Ata m’ u përgjigjën se ishte e pamundur për ta që të fiksonin kursin e këmbimit, për shkak të vështirësive të ndryshme... Ata më ofruan një pagesë në para shqiptare, por pa më siguruar për kursin e këmbimit, i cili ishte i pazgjidhur për momentin, ndërsa unë i informova ata se kjo nuk do të ishte një sadisfaksion për mua, sepse do të më duhej të paraqisja llogarinë time mujore, sipas kursit të caktuar dhe nuk ishte e kuptueshme për mua, se si të veproja, i bazuar vetëm në sugjerimin e tyre.[xxxvii]
      Që gjashtë muaj pas ardhjes në fuqi të regjimit të ri, në tregun financiar te vendit nuk kishte as një kurs legal këmbimi kjo ishte një shenjë e katastrofës financiare që regjimi i ri i kishte sjellë vendit me masat e tij, shenjë e mosbesimit të publikut tek regjimi i ri, por edhe një shenjë e zbatimit të agjendës konspirative të regjimit të ri për ekonominë. Hoxha nuk priste mirë idetë për të bashkëpunuar me bankat amerikane. Kostë Boshnjaku shpejt do të përfundonte në burg, ku, edhe pse i shkatërruar fizikisht nga torturat, në një mënyrë të tmerrshme, do të vazhdonte të bënte projekte për gjërat që do të bënte në krye të bankës, kur të dilte nga burgu dhe situata të ndryshonte. Beqir Ajazi, bashkëvuajtësi i tij në burg, shkruan në kujtimet se Boshnjakun e kishin keqtrajtuar në hetuesi:
       duke e varur e duke e zgjidhur sa për të ngrënë bukë, i kishte nxjerrë një hernie që i dukej si të ishte ndonjë maçok nën bizhamën e tij. Gjithashtu, gjatë torturave, në repertorin e pafund, i kishin futur hurin e halesë në prapanicë dhe e kishin shpartalluar dërmuar e gjakosur, në mënyrë që venat i dilnin jashtë, nëse nuk i mbante ato me dorë prapa... Një mendimtar i madh botëror ka thënë se shpresa mbahet dhe ushqehet me shumë pak gjë në shpirtin e njeriut. Ndër këta kishte qëlluar të bënte pjesë dhe Kosta. Me gjithë këto, unë nuk mund ta merrja me mend se me çfarë duarsh do ta drejtonte ai Bankën e Shtetit, kur ato dy duar që i kishte dhënë Zoti, atij i duheshin për t’ i mbajtur njërën në seksin e tij për të penguar daljen e hernias, kurse tjetrën për të penguar shkarjen e venave jashtë dhe varjen e gjakosjen e hemoroideve.[xxxviii]
      Në këtë mënyrë Hoxha bëri një shembull që t’ u tregonte të tjerëve se si do ta pësonin ata që në të ardhmen do të kërkonin që ta lidhte Bankën e Shqipërisë me bankat amerikane. Duke shprehur antikosovarizmin e vet, regjimi komunist, për dështimin e  utopisë komuniste të lugës së florinjtë ua vuri fajin… kosovarëve! Ja sesi shkruhet në historiografinë zyrtare të regjimit komunist:
      Një formë sabotimi e masave të qeverisë ishte nxjerrja e arit nga Shqipëria për në Kosovë. Veç kësaj elementët matrapazë në Kosovë që kishin grumbulluar sasi të mëdha kartëmonedhe shqiptare, filluan një tregëti spekulative në marrëveshje me tregëtarët nga Shqipëria.[xxxix]
E pra, ky është një botim i kohës kur miqësia e madhe shqiptaro-jugosllave qe prishur. Por shpifje të këtilla bëheshin për t’ u nxitur urrejtja kundër shqiptarëve të Kosovës. Në fakt, e vërteta është se atë grabitje që u atribuohet shqiptarëve të Kosovës, e bënë serbët dhe malazezët në vitet 1945-1948. Lidhur me këtë Petro Marko sjell ankimin që i bëri atij tregëtari shkodran Nush Topalli, në vitin 1945:
 Pse zoti Petro, sllavët po na çveshin. Të paktën të marrin një pjesë e një pjesë ta mbajmë dhe ne, se ku t’ i gjejmë tërë këto mallra të çdo kategorie: që nga lënda e ndërtimit, te manifaktura, te makineritë, te pijet, madje deri te furçat e nevojtoreve? Më vjen keq vërtet, miku është mik, por duhet t’ i japim ne atë që kërkon, dhe jo t’ i hapë ai vetë depot, magazinat, dyqanet...dhe t’i zbrazë pa na thënë as faleminderës! Unë nuk e kuptoj këtë, zoti Petro. I shoh të gjitha dhe hesht, se, po hapa gojën, burgu më pret.[xl]


 2.    
Familja patriarkale gjirokastrite bashkohet në bllokun e udhëheqjes komuniste në Tiranë

      Enver Hoxha, në 28 nëntor 1944, pasi përfundoi fjalimin që i adresoi popullit shqiptar në Tiranë, nga tribuna e ngritur në shkallët e hyrjes kryesore të Hotel «Dajtit», dhe pasi pozoi për fotografët, duke përshëndetur turmën e grumbulluar me detyrim, u ktheu shpinën dhe shkoi në shtëpinë e vet të re, që ishte apartamenti më luksoz i hotelit më luksoz të Shqipërisë në atë kohë, «Dajtit». Hotel «Dajti» do të bëhej shtëpia e Hoxhës në muajin e parë pas ardhjes së tij në Tiranë, gjë që e pohon vetë ai në 23 mars 1978,  në takimin me kuadrot e Gjirokastrës, ku u rrëfen se si e mori shtëpinë kur erdhi në Tiranë, në nëntor 1944:
       Pas çlirimit, kur akoma banonim përkohësisht në hotel ‘Dajti’ se nuk kishim zënë shtëpi…[xli]
      Duket e habitshme që krerët e regjimit të ri, i cili  vetëparaqitej si popullor, zgjodhën për të bërë paraqitjen e tyre të parë në kryeqytet hyrjen dhe sfondin e Hotel «Dajtit», i cili, më tepër se çdo gjë tjetër në Shqipërinë e kohës, ishte simbol i luksit të borgjezisë. Hotel «Dajti», i ndërtuar nga italianët, ishte një nga hotelet më luksoze për kohën në Ballkan. Mitingu tek Hotel «Dajti» duket edhe më tepër i çuditshëm për faktin se Hoxha dhe të vetët, duke ardhur atë ditë në Tiranë, zbritën nga automobilat pikërisht në Sheshin «Skënderbej» dhe ecën në këmbë përgjatë bulevardit deri tek Hotel «Dajti». Duhej pritur që mitingu të mbahej në Sheshin «Skënderbej», i cili nga fotografitë e bëra atë ditë duket që është pastruar dhe në fakt atje u bënë festime. Për këtë paradoks të regjimit të ri të vetëshpallur popullor, por që i drejtohej popullit nga hyrja e hotelit më luksoz të Tiranës, nuk gjen dot shpjegim tjetër, përveç atij të një trilli të natyrës prej komediani të Hoxhës. Ai sikur po u thoshte shqiptarëve në gjuhë simbolike se shteti do të ishte pronë e tij dhe e shtëpisë së tij, një pronë që ai do ta përdorte për të siguruar një jetë luksoze për veten, familjen, të afërmit e vet dhe për aristokracinë e re të regjimit.
      Në kohën që regjimi i ri i po zhvillonte luftën e shpallur prej tij, në letër vetëm ndaj klasës së vjetër sunduese të vendit, në realitet po krijohej klasa e re sunduese e regjimit, e ngjashme me atë të vjetrën. Duke filluar që nga vetë Hoxha, i cili në jetën e vet familjare, më tepër se shembullin e Stalinit apo të Titos, ndoqi atë të mbretit Zog, duke shfaqur kështu dualitetin e personalitetit të vet, prej Tarasi-Herman. Hoxha do të bënte një dasmë vërtet mbretërore, dhe për të evituar që kjo të ngjante si një teprim aristokratiko-borgjez, e bëri në 31 dhjetor 1944, duke e kamufluar me festën e Vitit të Ri 1945. Nexhmije Hoxha shkruan në kujtimet e veta për martesën e tyre:
       Bashkë me Enverin vendosëm që martesën zyrtare ta bënim natën e Vitit të Ri që kishim përpara (1944-1945). Për këtë informuam familjet tona. Të dyja palët u befasuan dhe thanë: «Dale, një herë, si kështu? Nuk jemi gati». Ne u shpjeguam se nuk duam asgjë, madje as edhe dasmë nuk do të bëjmë.[xlii]
     Në fakt dasma u bë dhe çfarë dasme! Në hotelin më luksoz të Shqipërisë dhe një nga më luksozët në Ballkan! Atje me rastin e vitit të ri u mbajt një festë e madhe, e cila ishte në fakt dasma e Komandantit. Tryezat e gjata qenë të mbushura plot me ushqime dhe pije të cilat u qenë konfiskuar «borgjezëve». Në momentin e ndërrimit të viteve, në momentin që u fikën dritat, Komandanti dhe nusja e tij shkëmbyen një puthje e cila u përcoll me një breshëri topash, me të cilën gjoja u përshëndet ardhja e Vitit të Ri. Në përfundim të festës çifti sundues i vendit shkoi në apartamentin më luksoz të hotelit që asgjëmangut nuk dallonte nga një apartament mbretëror. Nexhmije Hoxha shkruan në kujtimet:
       Kur erdhi Qeveria e re në Tiranë, shumica ose më mirë të themi, të gjithë anëtarët e saj u vendosën në hotel «Dajti». Enveri kishte një dhomë gjumi me një paradhomë. Mbaj mend se ndenjëm këtu gjithë muajin dhjetor derisa u rregulluan zyrat përkatëse dhe derisa gjetëm edhe shtëpinë për banim.[xliii]
      Nëse është e vërtetë ajo që thotë Nexhmije Hoxha për mënyrën se si shkoi nuse, kjo ka një simbolikë të qartë për atë çka do të ishte për vendin dhe popullin ky çift të martuarish. Nexhmije Hoxha e përshkruan kështu këtë episod:
       Diçka tjetër e bukur ndodhi të nesërmen, paraditen e 31 dhjetorit, kur erdhën nga familja e Enverit të marrin «nusen». Krushqit qenë vetëm dy motrat e Enverit, Fahrija dhe Sanoja... Dhe «nusen e Kryeministrit» po e priste në krye të rrugicës një kalë kockë e lëkurë dhe një karrocë shkatarraqe, e rrjepur, nga ato të kohës së babaqemos.[xliv]
      Vini re se si Nexhmije Xhuglini e ve në thonjza fjalën «nuse»! A mos do të thotë kjo se ajo nuk e ndjente veten vërtet nuse kur po martohej me njeriun i cili ishte i përfolur si biseksual? Nusja e kryeministrit e hypur në pajtonin e vjetër të tërhequr nga një kalë i dobët, ishte një metaforë e saktë për të ardhmen e vendit dhe popullit nën sundimin e familjes Hoxha. Shqipëria nën sundimin e familjes Hoxha do të ishte si një karrocë e vjetër shkatarraqe, që do të tërhiqej nga populli, si kali kockë e lëkurë. «Karrocieri», Enver Hoxha, që kishte në dorë frerët dhe kamzhikun, do ta detyronte popullin që të ecte kah gremina, duke i thënë se kjo ishte rruga magjike kah mirëqenia dhe lumturia.
      Tashmë që Enver Hoxha u martua ai kishte nevojë për një shtëpi. Dhe Enver Hoxha vetë do ta merrte shtëpinë e re në Tiranë, në një mënyrë të denjë për regjimin e tij, sipas traditës së heroit të fëmijërisë së tij, Sheme Hajdutit. Në 23 mars 1978, Hoxha, në një mbledhje në Gjirokastër, u tregon të pranishmëve se si e mori shtëpinë, një muaj pasi erdhi në Tiranë, si kryetar i qeverisë partizane:
     Pas çlirimit, kur akoma banonim përkohësisht në hotel «Dajti» se nuk kishim zënë shtëpi, vjen njëri nga shokët e sigurimit dhe më thotë «Të kemi gjetur një shtëpi, por atje banon Petraq Katroja». Thirra Esat Dishnicën që, siç e dini, dyqanin «Flora» dhe gjithçka tjetër që ai kishte i sakrifikoi për Partinë, dhe e porosita si të vepronte. Ai vajti bashkë me dy partizanë në shtëpinë e Bellotit, ku banonte Petraqi. Trokitën në derë, por shtëpinë nuk e hapnin njerëzit brenda.
     «Hapeni derën, apo doni t’ jua futim me mitraloz?» thirrën njerëzit tanë. Atëherë nga brenda qe dëgjuar një zë gruaje: «Ku e keni urdhërin?» «Nuk ka urdhër me shkrim për të ta dhënë ty, po hap shtëpinë! Ku e ke burrin?». «Nuk është këtu», ishte përgjigjur prapë gruaja. «E kujt është ajo shtëpi?», «Ka qenë e Bellotit, por tashti është e Petraqkës, që e ka me tapi». «Vishni këpucët ti e Petraqka e na jepni çelësat e shtëpisë», i kishte thënë Esati. «Po kjo qeveri nuk është nga ato që të na lerë në rrugë. Nuk e keni mirë këtë që po na bëni», tha ajo. «Kështu është puna, nesër në mëngjes do të vijmë prapë, po se mos trazoni gjë me dorë nga ato sende që janë brenda», kishte urdhëruar Esati. «Si urdhëron!», kishte thënë ajo.
      Esati erdhi e më tha mua që u rregulluan edhe shtëpia me gjithë pajisjet e tjera. «Nuk keni nevojë të mendoni për asgjë që i duhet një shtëpie, sepse të gjitha janë gati atje», tha ai.
      Kur vajtëm të nesërmen, nuk gjetëm asgjë në shtëpi. Për tërë natën Petraqi me njerëzit e tij i kishin hequr të gjitha.
     «Ku i keni fshehur plaçkat, ku e ke Petraqkën», i thamë ne. Gruaja që gjetëm brenda u mundua të na gënjente, por shokët tanë i gjetën të gjitha. Nuk e di se çfarë u bë më tej, po më vonë mora vesh se Petraqin e kishin arrestuar. Pastaj nuk di gjë më se si vajti puna e tij. Kështu e pësuan Petraqi me shokë që iu kundërvunë popullit dhe luftës së tij.[xlv]
      Pra, qytetarit Petraq Katro, tregtar nga Korça, i shkohet në shtëpi në mënyrë banditeske, dhe kur gruaja e tij kërkon një akt nga një zyrë e shtetit, për atë që po bënin, vihet në lojë. Gruaja e shtëpisë duket se e kishte marrë seriozisht Deklaratën e të drejtave të qytetarit, të miratuar në Konferencën e Beratit, dhe që paraqitej si dokument kushtetues, sipas së cilës drejta e pronës njihej dhe thuhej se ishte e garantuar. Por kjo ngjarje tregon se regjimi  ri i konsideronte ligjet që kishte nxjerrë thjesht si aspekt të propagandës, ndërsa në realitet vepronte me mënyra banditeske. Hoxha nuk e thotë se me çfarë veprimesh konkrete Petraq Katro «iu kundërvu popullit». Sipas Hoxhës faji i Petraq Katros qe se ishte sjellë në këtë mënyrë gjatë kohës që Hoxha ishte mësues në Liceun e Korçës dhe kërkonte të afrohej me komunistët:
       Kur u ktheva më vonë në Korçë, ne mblidheshim në depon e Hamitit, që e kishim shokun tonë, se kishte mbajtur Aliun. Me ne ishte dhe një djalë nga familja e Katros, që kishte qenë në Rusi dhe që pas Çlirimit e gjer sa vdiq punoi si përkthyes. Ky kishte një vëlla shumë të keq, edepsëz e maskara që e quanin Petraq Katro. Diku afër, Petraqi kishte punishten e gallosheve. Se ç’ mbante atje ca kazanë dhe me to bënte galloshe. Mbaj mend që vishte këpucë me taka dhe hidhte shumë livando.
     «Mos po bëni ndonjë komplot ju, bolshevikët?», na thoshte ai.
Sotiri nevrikosej kur e dëgjonte Petraqin që fliste ashtu dhe i thoshte: «Mos më rënç në dorë, pa do ta tregoj unë qejfin!»
«Posi do të bëheni ju që të merrni fuqinë!» fliste ai me qesëndi.[xlvi]
      Petraq Katro në fakt kishte një fabrikë ku prodhonte sende prej gome, por kjo nuk ka rëndësi. Ai shkonte pranë rretheve komuniste se kishte hallin e vëllait, i cili ishte bërë komunist. Faji i Petraqit del se ka qenë që ka bërë debat me komunistët. Kjo nuk mund të përbënte shkak që t’ i merrej shtëpia në 1945, aq më tepër kur partia komuniste deri në 1948 ishte ilegale.
      Në një pikë Hoxha nuk iu përmbajt shembullit të Stalinit, të cilin ai përpiqej ta imitonte atëherë dhe gjithë jetën. Në shtëpinë e re Enver Hoxha bashkoi familjen e vet patriarkale gjirokastrite. Nexhmije Hoxha shkruan në kujtimet e veta:
       Pas Çlirimit, kur u vendosëm në shtëpinë «Belloti», në Tiranën e re, Enveri dërgoi e mori prindërit dhe motrën të bashkëjetojnë me ne. Në shtëpinë përdhese mbeti motra e mesme Haxhireja, me tre jetimë të saj; burrin ia kishin vrarë në dyqanin e tij, në Berat. Më pas, meqë kjo s’ kishte me se të jetonte, dërguan e morën edhe atë me gjithë fëmijë. Enveri mori edhe vajzën e xhaxhait të tij, Zylon e Baba Çenit, ndaj të cilit mendonte se kishte detyrime për sa kishte bërë ai për edukimin e tij, si patriot dhe i mësuar që ishte.[xlvii]
      Kështu, Enver Hoxha u soll krejt ndryshe nga Stalini që e la nënën në Gjeorgji, ndërsa vetë sundonte në Moskë. Madje më pas Hoxha mbajti edhe familjen e motrës tjetër, Fahrijes, së vesë të Omarit. Nexhmije Hoxha shkruan në kujtimet:
       Neve na u desh të mbajmë dhe familjet e dy motrave të veja të Enverit, Haxhirenë me tre fëmijët e saj dhe Fahrijen, kur dy djemtë e saj, Luani e Fatosi, ndoqën arsimin e lartë.[xlviii]
      Madje së bashku me ta do të jetonte dhe familja e Nexhmije Hoxhës, gjë që kuptohet kur ajo thotë në kujtimet:
       Në vitet e para dy rrogat tona ishin krejtësisht të mjaftueshme, por nuk na mbetesh asgjë për të hequr mënjanë, sepse përveç familjes së Enverit, në ngarkimin tonë ishte edhe familja ime, përderisa babai kishte një pension të vogël, nëna ishte shtëpijake dhe vëllai kishte shkuar për studime në BS.[xlix]
      Së pari këtu duhet thënë se Nexhmije Hoxha rren rëndshëm kur thotë se kjo familje e madhe mbahej kryesisht me rrogat e atyre të dyve. Kjo ishte e pamundur se atëherë, deri në vitin 1957, ushqimet e veshjet jepeshin me triska, të ndara sipas kategorive. Ata që nuk punonin merrnin triska të lehta siç quheshin, ose triska urie. Me para mund të blije vetëm në tregun e zi, ku çmimet qenë shumë të larta dhe rrogat e Enverit dhe Nexhmijes nuk do të mjaftonin për të mbajtur kaq njerëz. E vërteta ishte se shpenzimet e familjes së madhe sunduese thjesht i mbulonte shteti. Derisa regjimi i ri pretendonte se do të ndërtonte Shqipërinë e re, kryetari i regjimit të ri ishte njeriu që ndërtoi një nga gjërat më karakteristike të Shqipërisë së vjetër, familjen patriarkale të sundimtarit, të mbledhur në pallat. Në kohën që thuajse të gjithë shqiptarët, me apo pa dëshirë, donin të përshtateshin apo të shtireshin se po përshtateshin me frymën e regjimit të ri, që thoshte se po ndërtonte Shqipërinë e re, vetë kreu i regjimit, dilte si njeriu më i vjetër i Shqipërisë së re, kryetar i një familjeje patriarkale sunduese! Kjo ishte familja mbretërore që donte të sundonte Shqipërinë. Ashtu si Ahmet Zogu edhe Hoxha kishte një familje të madhe të cilën e mbajti në Pallat. Dhe shpejt shtëpia e Enver Hoxhës do të shndërrohej në Pallat ashtu siç i kishte hije sundimtarit. Nexhmije Hoxha e tregon kështu në kujtimet e veta këtë gjë:
       Me që në 3-4 vitet e para të pas Çlirimit, mbledhjet e Byrosë Politike bëheshin në shtëpinë tonë, natën, ishte pak vështirë me familjen tonë të gjerë. Prandaj Koçi Xoxe mori një shtëpi tjetër pak më tutje. Në shtëpinë e tij, që ishte ngjitur me tonën, u zhvendos familja dhe Enveri, për të ndenjur e fjetur, kurse hanim bashkë.[l]
      Sa thjesht që e shpjegon Nexhmije Hoxha marrjen e një shtëpie të dytë të madhe dhe luksoze! Por përse duhej që mbledhjet e Byrosë Politike të zhvilloheshin në shtëpinë e Enver Hoxhës, kur vetëm disa qindra metra larg ishte selia e Komitetit Qendror të PKSH, në ish-pallatin e vjetër mbretëror? Zhvillimi i mbledhjeve zyrtare në shtëpi ishte në stilin e mbretërve. Tashmë që Hoxha mori një shtëpi të dytë, ngjitur me të parën, u krijua virtualisht Pallati mbretëror i shefit të regjimit të ri, kryeministrit-sekretar politik.
      Lëshimi i shtëpisë nga ana e Xoxes ishte sa një kortezi aq edhe një kurth i llogaritur me veprim afatgjatë. Më vonë Xoxe mund ta akuzonte Hoxhën fare mirë për abuzim që kishte marrë një shtëpi të dytë, duke formuar një kompleks pallator. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që Xoxe, i cili në atë kohë kishte marrë shumë fuqi, t’ i lëshonte shtëpinë Hoxhës, i cili atëherë ndihej i pasigurt.
      Edhe Hoxha, si gjirokastrit dinak, bënte gjithçka për të treguar dashamirësi false për Xoxen dhe besim tek ky i fundit. Nexhmije Hoxha shkruan:
      «Kurse për familjen tonë dhe atë të Koçi Xoxes kishim vetëm një kuzhinier, një mesoburrë që quhej Lluka. Ai furnizohej nga një qendër administrative shtetërore dhe gatuante njëlloj për të dyja familjet tona».[li]
      Kuzhinieri sigurisht që kontrollohej nga policia sekrete e Xoxes, çka duhet ta bënte Hoxhën të kishte frikë se mund ta ta helmonin. Por Hoxha e dinte mirë se Xoxe nuk mund ta eliminonte përvecse kur t’ i jepnin leje jugosllavët dhe atëherë Hoxha nuk kishte cfarë të bënte. Nexhmije Hoxha tregon dhe një episod sinjifikues ku Hoxha me një gjest prej komediani kërkon të tregojë dashamirësi false ndaj Xoxes:
       Enveri i tha nënës së vet:
«Ane, sikur këtë sixhadenë e sallonit ta ndajmë më dysh, t’ i japim gjysmën Koçit».
«U, mo Enver, po a i futet gërshëra një goxha sixhadeje, gjynah, sakatoset, Koçit le t’ i gjejnë një tjetër». I gjetën dhe i prunë dy sixhade aq të trasha, sa iu desh të sharronin dyert nga poshtë.[lii]
      Ane Gjuloja, e cila nuk i njihte kulisat e politikës së lartë të regjimit, reagonte sipas natyrës së saj gjirokastrite, duke mbrojtur sixhaden që i ishte marrë me dhunë dikujt tjetër, por që tash ajo e quante si të vetën, sikur ta kishte sjellë ajo në pajë në shtëpinë e Halilit. Aneja duhet të jetë qetësuar kur regjimi e zgjidhi këtë problem me mënyrën që i kishte sjellë anesë në shtëpi sixhaden e famshme.
      Hoxha e kishte bashkuar familjen patriarkale gjirokastrite në bllokun e udhëheqjes komuniste në Tiranë, duke përmbushur kështu ëndrrat e arta që kishte familja e tij në kohën osmane, ashtu siç përthyheshin këto ëndrra në prizmin e kohës së re. Për familjen patriarkale gjirokastrite, e cila tashmë ishte bashkuar edhe me familjen sheherlie dibrane të Nexhmijes, me po të njëjtat tradita osmane, në fakt ishte rikthyer koha e artë osmane, ndërsa të tjerat qenë vetëm aparenca e gjërave. Hoxha deri në fund të jetës do të sillej si kryetari i familjes patriarkale gjirokastrite. Me kalimin e kohës dy shtëpitë do të zgjeroheshin, do t’ u bëheshin shtesa dhe pastaj pranë tyre do të ndërtohej dhe një tjetër më e madhe, ku do të banonin fëmijët e Enver Hoxhës kur të martoheshin. Kështu ky kompleks ndërtesash do të merrte gjithherë e më tepër pamjen e një pallati mbretëror.
      Hoxha, i cili kur qe fjala për të tjerët tregohej shumë i ashpër në luftën e klasave, kur qe fjala për familjen e vet tregohej shumë i butë. Ai mbante në shtëpi familjen e Omarit, e cila sipas praktikës së regjimit duhet të ishte e internuar, ose së paku e dëbuar jashtë Tiranës. Gjithashtu Hoxha mbante në shtëpi edhe familjen e kunatit të vet, burrit të Haxhires (kjo është motra që i kishte vdekur burri për të cilën flet Nexhmija), i cili kishte qenë çifligar dhe ishte vrarë në Berat nga fshatarët e tij. Edhe motër Haxhirja duhet që sipas praktikës së regjimit të ishte e internuar si mijëra familje të tjera të ngjashme me të, por ajo jetonte në bllokun e udhëheqjes komuniste.
      Edhe Nexhmija do t’ i mbronte të afërmit e saj nga lufta e klasave. Është domethënës një episod që tregon Nexhmije Hoxha në kujtimet e veta, për ditët pas martesës së saj:
       Na erdhi dhe një «delegacion» i papritur, i vetëorganizuar dibran. Ishin mbledhur një grup, nga kushërinjtë e babait tim, si dhe ndonjë qytetar tjetër dibran. Bëheshin 6-7 veta… Më i paprituri për mua në këtë grup ishte Zija Dibra, kushuri i babait, nga nëna e tij. Ky ishte vëllai i Fuat Dibrës, pikërisht atij që u zgjodh regjent, bashkë me Mehdi Frashërin, Lef Nosin e Patër Anton Harapin, gjatë pushtimit gjerman… mua shokët e KQ, Gogo Nushi, Nako Spiru e Sejfulla Malëshova, duke shfrytëzuar njohjen time me të, më dërguan të takohem e t’ i bëja thirrje nga Fronti Nacionalçlirimtar të mos e pranonte atë funksion… Të dy vëllezërit vinin shpesh në Shqipëri, edhe në kohën e Zogut. Fuat Bej Dibra banonte te kushërira e tij, e shoqja e Faik Shatkut, ish-ministër në kohën e Zogut…Kështu që ne kishim të bënim. Unë kisha qenë edhe tjetër herë me nënën time në këtë shtëpi.[liii]
      Faik Shatku do të ishte i vetmi ish-ministër i kohës së Zogut i cili do të merrte një post relativisht të lartë pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist. Ai do të bëhej kryetar i Këshillit Financiar të Shtetit.[liv]Gruaja e Enver Hoxhës, Nexhmija, do të ishte një pjesëtare e elitës sunduese të regjimit. Në 1945 ajo do të bëhej Presidente e organizatës së grave, post që do ta mbante deri në 1955. Në vazhdim do të mbante të tjera poste të larta.
      Rreth rezidencës së Hoxhës do të krijohej blloku i udhëheqjes komuniste. Në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër komunist, madje duke përfshirë edhe Moskën, me Kremlinin e famshëm, vendndodhja e lagjes rezidenciale të udhëheqësve nuk  shprehte aq saktë, në mënyrë simbolike, se regjimi ishte pushteti i një klike në krye të një nomenklature piramidale, që kishte në majë diktatorin, dhe që institucionet i përdorte si mjete dhe mburoja të sundimit të vet. Lagjia e vogël në qytetin e Tiranës, ku qenë banesat e udhëheqësve kryesorë të regjimit komunist, ishte e rrethuar nga ndërtesat e institucioneve kryesore të regjimit. Në jug ishte ndërtesa masive e Komitetit Qendror, në jugperëndim ishte ndërtesa e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në lindje të bllokut të udhëheqjes, atje ku përfundonin vilat, qe një pallat masiv banimi i stilit sovjetik në formë «L», i ndërtuar  në mënyrë të tillë që të mbulonte pamjen e pjesës më të madhe jugore të bllokut të udhëheqjes, si një «mur» i parë mbrojtës. Gjithashtu, në perëndim të bllokut të udhëheqjes qenë disa pallate banimi të ndërtuara në të njëjtën mënyrë, dhe të llogaritura për të bërë «murin» e parë mbrojtës të bllokut, duke plotësuar rolin e ndërtesës së Presidiumit të Kuvendit Popullor. Pas saj qe një tjetër radhë pallatesh të ndërtuara në të njëjtën mënyrë si një mur i dytë mbrojtës. Po kështu ishte dhe në anën veriore të bllokut. Pas murit të parë virtual rrethues, qe një mur tjetër i përbërë nga një pallat masiv përgjatë bregut tjetër të lumit të Lanës, i ndërtuar qëllimisht si një mur i gjatë masiv. Atje ku përfundonte ky pallat, në anë të rrugës që priste unazën dhe shkonte drejt bllokut, qe Drejtoria e Punëve të Brendshme për Tiranën. Në të gjitha këto pallate banonin, në radhë të parë, të gjithë ata që punonin në bllok si dhe njerëz të nomenklaturës, zyrtarë të nivelit të mesëm të nomenklaturës, njerëz të aparatit të KQ, Sigurimit të Shtetit, qeverisë, por çka duket domethënëse, shumë pak oficerë të ushtrisë. Ata qenë të llogaritur që të bënin një milici që do të merrte pjesë në mbrojtjen e bllokut në rast rreziku. Të katër rrugët që të çonin në bllokun e udhëheqjes qenë të mbyllura për kalimtarët. Në bllokun e udhëheqjes kishte dyqane të posaçme, ndërsa në katin e parë të pallateve rreth tij kishte gjithashtu dyqane, të furnizuara shumë mirë, ku shitja bëhej me listë, vetëm për banorët e pallateve.
      E gjithë kjo ishte shprehje simbolike e konceptimit të nomenklaturës së regjimit si gardë pretoriane e udhëheqjes. Vetëm një udhëheqës-komedian, i cili nuk e mposhtte dot natyrën e vet prej komediani, mund t’ ia lejonte vetes të krijonte këtë skenë për teatrin e vet politik. Por kishte dhe një simbolikë tjetër jo më pak domethënëse. Blloku i udhëheqjes gjendej në anë të bulevardit kryesor të qytetit të ndërtuar sipas projektit dhe me paratë e Italisë fashiste në kohën e monarkisë zogiste. Si për ta bërë më të plotë lidhjen e regjimit të ri me fashizmin ndërtesat ku qenë selitë e zyrave të regjimit komunist, qenë në shumicën e tyre të ndërtuara nga Italia fashiste, si gjatë pushtimit, ashtu dhe para tij, edhe lagjia rezidenciale e udhëheqësve komunistë e kishte origjinën tek një lagje rezidenciale që filloi të ndërtohet për oficerët e lartë italianë, si dhe tek vilat e elitës së re të Tiranës, pranë tyre. Shtëpia ku do të banonte Hoxha për 30 vjet, pranë së cilës do të ndërtohej edhe shtëpia e re e tij më vonë, ishte në një pozicion të tillë që që të ishte pranë bishtit të sopatës virtuale, për ta mbajtur atë në dorë ditë e natë.
      Që në pranverën e vitit 1945, i ashtuquajturi blloku i udhëheqjes u veçua nga pjesa tjetër e qytetit, duke u rrethuar me tela me gjemba. Britaniku Dayrell Oakley-Hill, i cili erdhi në Shqipëri në prill 1945 si president i UNRRA për Shqipërinë, shkruan në kujtimet:
       Në anën perëndimore të bulevardit, zona e njohur përgjithësisht si Tirana e Re, më parë praktikisht bosh, tani ishte plot me shtëpi shumë të mira, moderne dhe me disa blloqe apartamentesh trikatëshe. Një pjesë e saj ish rrethuar me tela dhe me siguri ruhej nga trupa, sepse atje jetonin udhëheqësit e partisë dhe qeverisë.[lv]
      Kur Oakley-Hill thotë se kjo zonë më parë ka qenë bosh, e ka fjalën për kohën kur ai kishte qenë në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore. Përveç ruajtjes që i bëhej lagjes rezidenciale të udhëheqjes, kishte roje të veçanta edhe përreth shtëpisë së Hoxhës. Oakley-Hill e përshkruan kështu vizitën e tij në shtëpinë e Hoxhës në 31 korrik 1945:
       Po kështu Spahiu më kërkoi që në ora 9.30 të mbrëmjes të shkoja në shtëpinë e Hoxhës. Në orën 9.15 u nisa për në shtëpinë e Hoxhës i shoqëruar nga një partizan. Shtëpia ruhej mirë nga të gjitha pikat e afrimit.[lvi]
      Oakley-Hill nuk ishte ftuar për darkë, por për një takim pune, se Hoxha punonte kryesisht në shtëpi. Ora qe e pazakontë për një takim pune por Hoxha kopjonte orarin e punës  nokturn stalinian. Ajo që nuk mund ta perceptonte një vëzhgues i jashtëm ishte fakti se, edhe pse blloku i udhëheqjes ruhej mirë prej rreziqeve që mund të vinin nga jashtë tij, duket se banorët e tij kishin më tepër frikë nga rreziqet që mund t’ u vinin nga brenda, nga rivalët e tyre. Në këtë histori rojet qenë sa pretorianë aq edhe të dyshuar si vrasës. Hoxha, pas plenumit të Beratit, kur erdhi në Tiranë, i largoi të gjithë ortodoksët me origjinë nga Korça dhe Kolonja, të cilët qenë në grupin e tij të rojeve gjatë kohës së luftës, si Niko Dulaku, Kiço Negovani, Ilia Kerenxhi, Gaqo Pojani, Ilo Nepsi, Minella Trebicka, duke dyshuar se do të qenë të influencuar nga Xoxe. Hoxha mbajti si shef të grupit të tij të rojeve ish-komandantin e kompanisë së rojeve të Shtabit të Përgjithshëm, Axhem Abazin, nga Mallakastra, të cilin ia kishte sugjeruar Mehmet Shehu. Duro Shehu, vëllai i Mehmet Shehut, shkruan në kujtimet:
       Nuk mund t’ i vinte dot natën në shtëpi Enver Hoxhës Xoxe. Këtë e di shumë mirë dhe garantoj sepse isha në Gardën e Republikës dhe shërbeja në shtëpinë e Enver Hoxhës për të siguruar jetën e tij. Përveç kësaj, roje personale natë e ditë tek dera e dhomës ku flinte Enver Hoxha qëndronin Axhem Abazi dhe Halim Zano nga Mallkastra, korrierët e Mehmet Shehut në Çetën Plakë të Mallkastrës e në brigadën e Parë, të cilët Mehmet Shehu ia dha Enver Hoxhës duke i thënë: ‘Merri shoku Enver Axhemin dhe Halimin. Janë partizanë trima e të besës, me ta nuk do të hyjë gjemb në këmbë.[lvii]
      Gjithashtu Hoxha do të kishte në grupin e vet të rojeve personale edhe dy veta nga Tërbaçi i Vlorës, fshati i Hysni Kapos, Qazim Malin (Malaj), rojen e vet personale të kohës së luftës, si dhe Shaqo Gjinin. Hoxha gjithashtu do të merrte si roje personale, për 10 vjet edhe Shefki Gjolikun, djalin e Jaho Gjolikut, nga Kuçi i Kurveleshit. Hoxha donte ta bënte Kurveleshin bazë fuqie personale dhe Jaho Gjolikun e përdorte si misionar për këtë gjë.
      Edhe tek batalioni i sigurimit të udhëheqjes, i cili u krijua në prag të ardhjes së udhëheqjes komuniste në Tiranë, dhe që do të përbente bërthamën e Gardës së Republikës, e cila do të krijohej më pas, do të shfaqej marrëdhënia dyshuese që kishin Hoxha e Xoxe. Hoxha emëroi komandant të batalionit Hajdar Aranitasin nga Mallakastra, edhe ky një sugjerim i Mehmet Shehut. Xoxe nga ana e tij emëroi komisar të batalionit Rita Markon, një ortodoks nga Korça, baza e fuqisë personale të Xoxes. Nëse regjimi kishte krijuar një klimë ankthi dhe terrori në Shqipëri, jo më pak ishte e tillë klima në bllokun e udhëheqjes, ku sundimtarët i trembeshin njëri tjetrit, duke jetuar në një realitet gotik. Hoxha, i rrethuar nga pretorianët e tij, në bllokun e udhëheqjes komuniste, që formonte një kompleks së bashku me ndërtesat ku qenë zyrat kryesore të regjimit komunist, përbënte një histori që mund të rrinte fare mirë në librin «Jeta e dymbëdhjetë cezarëve» të Suetonit. Për të kuptuar të vërtetën e Hoxhës dhe të regjimit të tij, asgjë nuk shërben më mirë se mënyra e të parit të gjërave që ai sugjeroi në Plenumin III të Komitetit Qendror, në 13 shkurt 1957:
       Le të kemi kurdoherë parasysh fjalët e Leninit të pavdekshëm, i cili thoshte: Mos u besoni frazave, shihni më mirë kush përfiton nga kjo.[lviii]
      Nën dritën e kësaj sentence duhet kqyrur dhe frazeologjia ideologjike e Hoxhës, si gjatë luftës për të marrë pushtetin, ashtu dhe gjatë kohës kur ishte në pushtet. Kësaj frazeologjie nuk është për t’ i besuar; ajo ishte një iluzion. Hoxha nuk kishte asnjë ideal, asnjë pasion ideologjik. Realiteti ishte blloku i udhëheqjes ku familja patriarkale gjirokastrite, sundonte vendin si një familje mbretërore e re, duke patur përreth aristokracinë e re. Gjithçka tjetër bëhej për ta kamufluar këtë gjë, dhe për t’ i dhënë imazhin e legjitimitetit sundimit, çka e bën Hoxhën të shfaqet si një komedian politik i pashoq! Kur njihesh me frazeologjinë e Hoxhës, nuk mund të mos krijosh përshtypjen se ke të bësh me një komedian që i kanë dhënë befas një rol serioz, gjë të cilën ai nuk mund ta bëjë veçse në mënyrën e vet.
      I gjithë sundimi i Hoxhës mund të shihet si një numër rolesh teatrale që ia japin t’ i luajë padronët e tij, sikur ta kenë vënë re aftësinë e tij për këtë gjë. Këto qenë role dramatike të cilat ai i shndërron në komike. Nëse në Shqipërinë e viteve ’20-30 të shekullit të kaluar, do të kishte patur teatër profesionist, apo edhe kinematografi, Hoxha me siguri që do të kishte vazhduar karrierën si aktor komik, nga amator në profesionist, duke luajtur në komedi, teatër dhe filma komikë. Sikur në Shqipërinë e kohës një aktor komik të mund të nxirrte të ardhura të mira, Hoxha sigurisht që do ta kishte bërë këtë karrierën e jetës së tij. Por në Shqipëri nuk ekzistonte kjo mundësi, prandaj Hoxha u mor me gjëra të tjera. Gjithsesi, fati i kishte rezervuar që të bënte komedianin, me një ndryshim, në vend të skenës së teatrove dhe filmave, i kishte rezervuar një skenë edhe më të madhe, autentike, për të shfaqur talentin e tij, skenën e politikës, atë shqiptare por në momente të caktuara dhe atë botërore.
    Jeta e Hoxhës mund të shikohet edhe si karriera e një aktori komik gjatë së cilës ai luan disa role: rolin e konspiratorit komunist dhe më pas rolin e luftëtarit partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore, rolin e shtetarit komunist pas luftës, rolin e titoistit, rolin e stalinistit, rolin e maoistit etj. Në disa momente ai do të ketë të fokusuar tek vetja vëmendjen e gjithë botës, siç ndodhi në vitet 1960-1963, kur ai shihej si zëdhënës i Mao Ce Dunit, në konfliktin kino-sovjetik. Në pleqëri, kur u braktis nga kinezët, atij i mbeti të bëjë, në trajtë karikature, rolin e Stalinit të para Luftës së Dytë Botërore, si lideri i vendit të vetëm në botë që ndërton socializmin. Dukja teatrale e regjimit komunist ishte bërë si me porosi për talentin prej aktori të Hoxhës. Megjithë talentin e vet prej aktori, apo pikërisht për këtë arsye, Hoxha kurrë nuk arriti të bëjë përshtypjen e një udhëheqësi proletar. Bato Tomasheviç, i cili do ta takonte atë në dhjetor 1944, në Tiranë, rrëfen kështu në kujtimet përshtypjen që i bënë Hoxha dhe gruaja e tij, Nexhmija:
       Elegant dhe rinor, me uniformën e tij të qepur për bukuri, me flokët e dendur, të zinj, të krehur me kujdes dhe të lyer me brilantinë, ai na u duk ne më shumë si një nga oficerët italianë të veshur spic që gjuanin vajzat në Cetinje në ditët e para të psuhtimit se sa me komandantët tanë të rreshkur nga kushtet e motit. Gruaja e tij e re dhe e bukur na u duk gjithashtu e veshur si tepër elegante për një partizane.[lix]
      Dëshira për luks dhe elegancë qenë- po të shprehem në terminologjinë komuniste-dy veset borgjeze të cilat Hoxha nuk mund t’ i mposhtte dot. Bato Tomasheviç e gjen si tepër luksoze dhe makinën e Hoxhës, të ngjashme me atë të guvernatorit italian të Malit të Zi:
       Limuzina e zezë rrëzëllitëse që priste për ne na kujtoi atë që Gjeneral Pirzio Birrolli përdorte për të shëtitur gjithandej. Murati dhe një nga rojet u ulën përpara në krah të shoferit, kurse unë u ula midis çiftit Hoxha në ndenjëset e gjëra të pasme.[lx]
      Hoxha kështu ngjante më tepër me një diktator latino-amerikan se me një udhëheqës komunist. E vetmja gjë që nuk e linte të shijonte luksin ku jetonte ishte pasiguria. Edhe pse toka ku qenë vilat e bllokut të udhëheqjes qe e rrafshët, Hoxhës në 1945 i dukej sikur ajo tokë ishte edhe më e pjerrët dhe e rrëshqitshme se ajo ku ngrihej shtëpia e tij në Gjirokastër. Kjo për faktin se Hoxha nuk po arrinte ende që të projektonte në Tiranë qytetin e Gjirokastrës me Malin e Gjerë. Në këtë projektim një vend qendror dhe të domosdoshëm zinte kështjella, e cila ishte simbol i mbrojtjes që imperia i ofronte vasalit të saj. Hoxha e shikonte ekzistencën e vet si pushtetar në Tiranë, ashtu siç e kishin parë paraardhësit e vet në Gjirokastër, si një vasal që jeton nën suazën e një imperie, të simbolizuar nga kështjella që ofron mbrojtje dhe siguri. Në majën e Malit të Dajtit nuk kishte ndonjë kështjellë, por në imagjinatën e Hoxhës, atje ishte imazhi i një kështjelle, qe rezidenca e Titos në Beograd, si dhe Kremlini. Vetëm kjo i jepte siguri Hoxhës. Madje, pavarësisht se Hoxha e shikonte veten si një vasal që zotin e vet e kishte në Beograd, ai megjithatë e shikonte zotin e vet të drejtpërdrejtë si vasal të një suzereni më të madh, që ishte në Moskë, në Kremlin. Hoxha e dinte se Kremlini ishte kështjella që mund t’ i jepte siguri zotit të tij në Beograd dhe vetë atij në Tiranë. E gjithë jeta e Hoxhës do të ishte një përpjekje për të gjetur «kështjellën» mbrojtëse.
      Pasi Komandanti u martua tashmë pritej që ai të lindte fëmijë. Të gjithë udhëheqësit që u martuan fill pas luftës filluan të lindnin fëmijë njëri pas tjetrit, madje edhe Xoxe, i cili ishte martuar para luftës, dhe kishte fëmijë, bëri edhe dy fëmijë pas luftës, siç e kam cituar Nexhmije Hoxhën më lart. Vitet kalonin dhe vetëm Enver dhe Nexhmije Hoxhës nuk po i lindnin fëmijë. Enverit dhe Nexhmijes do t’ u lindte fëmija i parë, Iliri, në 31 mars 1949. Kjo do të thotë se Nexhmija ka mbetur shtatzënë aty nga fundi i qershorit, fillimi i korrikut 1948.  
      Në popull filluan të qarkullojnë anekdotat se përse çifti kryeministror nuk po lindte fëmijë. Enigma ishte nëse Komandantit nuk po i shkrepte «mauzeri», apo problemi ishte tek Nexhmija. Tradita orale thotë për këto anekdota se disa jepnin si shpjegim sëmundjet veneriane të Hoxhës. Të tjerë thoshin se shkaku ishte se Hoxha pëlqente më tepër të flinte me rojet e tij dhe nusen e re e linte me Mulla Halilin. Disa të tjerë bënin shkaktarë të dy, Enverin dhe Nexhmijen, por këta ndaheshin në në dy grupe. Të parët thoshin se Nexhmija ishte infektuar nga Enveri me një sëmundje veneriane dhe nuk mund të lindte dot. Të tjerët thoshin se, duke qenë se Nexhmija kishte qenë e fejuara e Miladin Popoviçit, për të cilin dihej se vuante nga tuberkulozi, ajo kishte marrë tuberkulozin, që siç dihet bllokon kanalet e mitrës dhe pamundëson shtatëzaninë, deri në kurimin e sëmundjes.
      Hoxhës sigurisht që i vinin në vesh këto gjëra dhe duhet ta kenë vrarë shumë. Të tjera shaka mbi këtë temë bëheshin në rrethet e larta të regjimit dhe qenë jo më pak therëse. Njerëzit bënin shaka me atë që mbledhjet e Byrosë Politike bëheshin natën në shtëpinë e Hoxhës, duke thënë se Enveri merrte angazhim në mbledhje se atë natë do ta linte Nexhmijen shtatzënë dhe pastaj çohej nga mbledhja dhe shkonte në dhomën e gjumit. Por shpejt në dhomën ku mbahej mbledhja e Byrosë Politike hynte Nexhmija duke qarë dhe ankohej se Komandanti nuk ia kishte futur penisin në vaginë por në anus. Pastaj çohej Xoxe dhe i bërtiste Hoxhës se në rast se Nexhmija nuk do të mbetej shtazënë deri në fund të vitit, atëherë këtë çështje do ta merrte në dorë Byroja Politike. Të tjerë tregonin se Enveri i thoshte Nexhmijes gjatë kryerjes së aktit seksual që t’ i mbante sytë tek fotografia e Titos, se kështu do të mbetej me siguri shtatzënë. Nexhmije Hoxha shkruan në kujtimet e veta për vonesën e lindjes së fëmijëve:     
       Kjo periudhë trevjeçare ka qenë më e rënda dhe për mua. E kam shënuar që pas Çlirimit, si rezultat i jetës ilegale nën kërcënimin e përditshëm të rreziqeve nga pushtuesit nazifashistë e mercenarëve të tyre, i ushqimit të dobët në familjet e varfra të popullit në qytete e aq më keq në mal me partizanët në mes fshatarëve, të dërrmuar nga lufta, pësova një anemi të rëndë e dobësi të përgjithshme. Nuk mund të them se në këtë gjendje nuk ndikoi dhe gjendja ime shpirtërore, shqetësimi për ato që përmenda më lart, që po ndodhnin në Parti dhe lidhur me Enverin. Këto rrethana, duke pasur parasysh se edhe më duhej të përballoja punët që më ishin ngarkuar, që atëherë ishin të reja për ne, unë e shtyja nga viti në vit vendimin për të lindur fëmijë. Është e njohur nga të gjithë dashuria e Enverit për fëmijët, aq më shumë ai donte të kishte fëmijët e tij, jo një e dy, por, siç thoshte duke qeshur, donte «një skuadër». Por ai respektoi vendimin tim dhe u përkujdes shumë për gjendjen time shëndetësore.[lxi]
     Të gjitha këto shpjegime që jep Nexhmija e bëjnë edhe më kurioze çështjen e vonesës së lindjes së fëmijëve, se këto shpjegime duken naive. Sa për jetën ilegale të Nexhmijes kjo është një përrallë e pabesueshme se ajo qëndroi në Tiranë deri në shkurt 1944, siç e kam cituar më lart në këtë libër, dhe gjatë gjithë kësaj kohe nuk thotë se mori pjesë në ndonjë aksion si guerrilase. Sa për jetën e «malit» si partizane, kjo është një përrallë tjetër, që mund të përgënjeshtrohet me vetë fjalët e saj. Ajo kur doli partizane shkoi nga Tirana në Korçë me autobusin e linjës interurbane dhe pastaj shkoi në fshatin Panarit ku e priti Enveri në një shtëpi dykatëshe, ku kishte një zjarr të madh në vatër dhe dhoma e tyre ishte me një shtrat me çarçafë borë të bardhë, siç e kam cituar më lart në këtë libër. Të tjera gra të udhëheqësve, lindën shpejt fëmijë, si gruaja e Mehmet Shehut, Fiqret Sanxhaktari, e cila kishte bërë vërtet një jetë të vështirë si ilegale, duke marrë pjesë në aksione, si dhe kishte bërë një jetë mjaft të vështirë partizane në Brigadën I, megjithatë lindi fëmijë fill pas luftës. Kuptohet që shkaku i vonesës së lindjes së fëmijëve nga Enveri dhe Nexhmija nuk ishte stresi. Aq më pak stresi dhe ushqimi mund të ishin shkaku i sëmundjes së Nexhmijes pas luftës, për të cilën ajo thotë se ishte një anemi e rëndë. Askush nuk e beson se në familjen e kryeministrit Hoxha mungonte ushqimi i mirë. Hoxha edhe në ditët më të vështira që kishte pasur gjatë luftës, në Shmil kishte porositur dhe i kishin ardhur ushqime të zgjedhura, siç e kam cituar më lart. Kështu që shpjegimi për mungesën e fëmijëve në vitet e para mbetet ai i problemeve shëndetësore të Enverit dhe Nexhmijes.
      Por populli që dëgjonte Radio Londrën, siç quhej BBC në vend, nxorri edhe një shpjegim tjetër. Në atë kohë kohë, Radio Londra rrëfente të gjitha ofertat për ndihmë ekonomike që i bëheshin Shqipërisë nga Perëndimi, duke lënë të kuptohej qartë se dhënia e këtyre ndihmave pengohej nga regjimi i ri. Në popull, i cili jetonte në vështirësi të mëdha, qarkullonin fjalë se gruaja e Hoxhës nuk lindte fëmijë për shkak se ai ishte bërë si kuçedra e keqe përrallës dhe u kishte ndalur fëmijëve të vendit ushqimin që u vinte nga Anglia dhe Amerika.


3.
Veriu nuk e ka parë akoma forcën e ushtrisë sonë: Operacioni i dimrit kundër popullit

      Në mes të janarit 1945, regjimi i ri në Shqipëri, duke menduar se në këtë periudhë të vitit nuk mund të pritej një sulm britanik deri në pranverë, i hodhi pjesën më të madhe të forcave të tij ushtarake në një operacion spastrimi në shkallë të gjerë në vend, të drejtuar kundër kundërshtarëve realë dhe potencialë të regjimit. Në 18 janar 1945 Hoxha nënshkroi «Urdhër operacioni dërguar shtabit të Korparmatës III mbi masat për likuidimin e mbeturinave të reaksionit në zonat veriore të vendit». Zgjedhja e fjalëve është domethënëse. Nuk thuhet mbeturinat e kolaboracionistëve, por të reaksionit- një term ideologjik ky, që përbënte dhunim të ligjeve të regjimit të ri, i cili shtirej se nuk kishte ngjyrim ideologjik komunist. Jo më pak domethënës është etiketimi që u bëhet në urdhër krahinave të tëra të Shqipërisë së Veriut si «reaksionare», term ky që në fjalorin komunist kishte kuptimin e armikut politik:
       Gjon Marka Gjoni ka mundur të grumbullojë rreth vetes një forcë prej 300-400 vetash të armatosur dhe bashkë me Muharrem Bajraktarin qarkullon sot në krahinat reaksionare të Lumës e të Mirditës.[lxii]
      Madje më tutje, në urdhërin e operacionit, e gjithë Shqipëria e Veriut përcaktohet si reaksionare:
       Pushteti ynë në Veri është pa bazë, [të shëndoshë] nuk është i organizuar mirë dhe kërcënohet nga reaksioni. Veriu nuk e ka parë akoma forcën e ushtrisë sonë... Pushteti ynë është i ngritur kudo por në krahinat reaksionare është shumë i dobët.[lxiii]
      Këtu Hoxha pohon tërthorazi se e ashtuquajtura luftë nacionalçlirimtare kishte qenë në fakt luftë civile, gjatë së cilës forcën e ushtrisë partizane e kishte parë Shqipëria e Jugut, me terrorin e ushtruar ndaj atyre që kundërshtonin puçin komunist për marrjen e pushtetit. Tash forcën e ushtrisë partizane duhet ta shihte dhe populli i Shqipërisë së Veriut, do të thotë, të provonte terrorin masiv. Është domethënëse se Hoxha e shikon këtë fushatë terrori dhe represioni masiv në Shqipërinë e Veriut edhe si mënyrën për të instaluar pushtetin e ri në këtë pjesë të vendit, ku pushteti i ri ishte shumë i dobët. Jakova, në raportin e vet në Kongresin I, kur ishte numri 2 në parti, do të thoshte për shtrirjen e partisë në vend:
       Nga fundi i vitit 1945 kishim Organizata Bazë në gjithë krahinat (komune) e Shqipërisë së Jugut dhe në Prefekturën e Korçës dhe të Gjirokastrës kishim Organizata Bazë edhe nër disa fshatra. N’ atë kohë në Shqipërin’ e Mesme dhe të Veriut Partia ishte mjaft e dobët, nuk kishim Organizata Bazë në gjithë krahinat (komune) dhe në disa krahina nuk ka patur bile asnjë anëtar Partie. [lxiv]
      Por Hoxha donte t’ ia kujtonte edhe Shqipërisë së Jugut forcën e ushtrisë, prandaj fushata e terrorit dhe represionit masiv do të zhvillohej njëkohësisht edhe në zonat e tjera të vendit. Të nesërmen e ditës që dha urdhrin e mësipërm, në 19 janar 1945, Hoxha nënshkruan «Urdhër operacioni dërguar shtabeve të Korparmatave I e II mbi masat për likuidimin e mbeturinave të reaksionit në zonat e Shqipërisë së Jugut e të Mesme».[lxv] Kështu në Shqipëri filloi një operacion i madh spastrues në stil të gjerë, i cili fare mirë mund të quhet-nëse përdor një term të mitologjisë së luftës partizane- Operacioni i Dimrit kundër popullit shqiptar Kundër kujt drejtohej ky operacion, kur ata që quheshin ish-kolaboracionistë të pushtuesve fashistë, në pjesën më të madhe, ose qenë vrarë gjatë luftës, ose qenë arratisur jashtë vendit. Në një dokument të UDB për Shqipërinë (UDB duhet marrë si burim i besueshëm se ajo dhe paraardhësja e saj OZNA qenë padronët e Shqipërisë në vitet 1944-48) thuhet:
       Në kohën e çlirimit të plotë të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj, në fund të vitit 1944, rreth 4000 shqiptarë, që i iknin Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Shqipërisë u arratisën së bashku me trupat okupuese gjermane në Itali, Austri dhe Gjermani.[lxvi]
      Sigurisht që këta të cilët u larguan qenë njerëz të cilët patën qenë implikuar në luftë me komunistët. Duke menduar se një numër i përafërt me ata që ikën qenë vrarë gjatë luftës civile në Shqipëri, deri në 29 nëntor 1944, atëherë mund të thuhet se pothuajse të gjithë ata të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore kishin qenë kundërshtarë seriozë të komunistëve, duke luftuar me armë kundër tyre, tashmë ose kishin vdekur, ose qenë jashtë vendit. Tekefundit Shqipëria ishte një vend që në fund të vitit 1944 kishte 1 milion banorë. Kështu që tashmë regjimit komunist nuk i mbetej veçse të asgjesonte mbeturinat e saj, si dhe ata që i shihte si kundërshtarë potencialë aktivë, që mund të tentonin përmbysjen me armë të regjimit të ri. Prandaj operacioni që filloi në janar 1945 kishte si shënjestër ata të cilët shiheshin si kundërshtarë të regjimit të ri. Gjatë këtij operacioni të madh do të ushtrohej një terror masiv, që kapërcente gjithçka që komunistët u atribuonin pushtuesve të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe që bëhej në shkelje edhe të ligjeve që kishte nxjerrë regjimi i ri. Në akt-akuzën e paraqitur nga Prokurori në gjyqin ndaj Xoxes dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme, u tha:
       Në janar 1945 është dhënë urdhër që, në Shkodër, të vriteshin pa gjyq njerëz që konsideroheshin të fajshëm.[lxvii]
      Në fakt këto veprime nuk qenë gjë tjetër veçse zbatim i urdhrit të Hoxhës të janarit 1945, të cilin e kam cituar më lart. Në 1949, gjatë hetimeve ndaj Xoxes, ky i fundit, në përgjigjen e tij ndaj pyetjes së prokurorit, deklaron:
       Në operacionin e shkurtit 1945 është dhënë direktivë që të ekzekutohen pa gjyq «njerëz të fajshëm dhe armiq të pushtetit». Kjo direktivë u është dhënë Vaskë Kolecit dhe Zoi Themelit. Në operacionin e Burrelit janë pushkatuar njerëz me qëllim gjoja që të evitoheshin arratisjet në kohën e operacionit dhe urdhri ka qenë që të pushkatoheshin disa pa gjyq. Në operacionin e Durrësit janë pushkatuar pa gjyq dy veta, si masë që të evitoheshin dezertimet. Për pjesën me të madhe është dhënë urdhër prej meje pas vendimit që kemi marrë me Sekretarin e Përgjithshëm dhe për raste të tjera në mbledhje parciale të Byrosë.[lxviii]
      Siç shihet terrori është përdorur, si ndaj popullsisë të etiketuar si reaksionare, ashtu dhe ndaj ushtarëve të angazhuar në operacion, për të siguruar bindjen e tyre. Në deklaratën e mësipërme ku rrëfehet për të pushkatuarit në operacionin në Mat dhe Durrës, nuk jepet shifër për të pushkatuarit nga popullsia civile, se me sa duket as që është mbajtur llogari për ta. Shifër e të pushkatuarve jepet vetëm për ushtarët e angazhuar në operacionin dhe kjo vetëm për rastin e Burrelit, por thuhet se pushkatime të ushtarëve janë bërë edhe në Durrës. Duke konsideruar termat në të cilat është formuluar urdhri i Hoxhës, nuk është për t’ u habitur që gjithandej pushkatimet janë bërë pa gjyq. Kështu ka ndodhur edhe në operacionin në Mat dhe Dibër. Në vazhdim të përgjigjes së tij ndaj pyetjes së prokurorit, Xoxe deklaron në hetim për operacionin në Mat dhe Dibër në 1945:
       Nesti Kerenxhit i është dhënë me vete një listë e elementëve që duheshin arrestuar dhe përcjellë gjyqit. Në këtë listë kishte dhe rekomandime për pushkatim me anë gjyqi.[lxix] 
     Xoxe shton:
       meqënëse gjyqi ishte vonuar, pushkatimet janë bërë pa gjyq. Ky operacion është bërë me vendim të Byrosë.[lxx]
      Në akt-akuzën e paraqitur nga Prokurori në gjyqin ndaj Xoxes dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme, u tha:
       Janë nxjerrë natën nga burgu dhe janë vrarë njerëz nga njerëzit e Sigurimit duke i mbuluar këto akte me mashtrimin se gjoja i vrari tentoi të arratisej.[lxxi]
      Por në gjyqin ndaj Xoxes zhvillohet ky dialog mes Prokurorit politbyroist, Bedri Spahiu dhe të pandehurit Xoxe:
       Prokurori (duke iu drejtuar Koçi Xoxes): Trockist i ndyrë! Pa gjyq nuk vritet asnjeri.
K. Xoxe: Për të gjithë këta (të vrarë pa gjyq) ka pasur aprovim të Sekretarit të Përgjithshëm.[lxxii]
      Xoxe, jo vetëm në këtë rast, por në të gjitha rastet, do të pohonte se gjërat për të cilat akuzohej ishin bërë pas një një vendimi politik të marrë së bashku me Hoxhën. Dhe ne kemi dokumentin që provon se Xoxe thoshte të vërtetën. Hoxha pati arrogancën që ta botonte vetë këtë dokument rreth tre dekada pas dënimit të Xoxes. Shifra e saktë e të vrarëve nga regjimi komunist në operacionin ushtarak të janar-shkurtit 1945, nuk ka për t’ u mësuar kurrë, ashtu si shifra e viktimave të terrorit komunist në përgjithësi. Regjimi komunist në prag të rënies së tij u kujdes të zhdukë edhe provat më të rëndësishme të terrorit të tij që gjendeshin në arkiva, duke lënë vetëm ato që sipas mendimit të tij fajësonin ata që regjimi i shpalli si armiq. Megjithatë, disa të dhëna dalin tërthorazi edhe nga vetë dokumentet e regjimit komunist. Kështu, në librin “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, botim zyrtar i regjimit, thuhet se që nga viti 1944 e deri në 1985, pra gjatë 41 viteve, të cilat përkojnë dhe me kohën kur Hoxha ishte në fuqi:
       Janë asgjësuar e demaskuar mbi 900 banda prej rreth 9000 vetash, si dhe 300 organizata kundërrevolucionare.[lxxiii]
      Pasojat e operacionit represiv në stil të gjerë të vitit 1945, ashtu si dhe pasojat e terrorit komunist në Shqipëri në vitet e ardhshme, do të fshiheshin edhe për shkak të eksplozionit demografik që pati Shqipëria në periudhën në vazhdim. Ky eksplozion demografik që regjimi komunist ia atribuoi vetes si një meritë, është në fakt një fenomen që vihet re në të gjitha vendet e varfra dhe të pazhvilluara. Në Shqipëri ai ekzistonte edhe para ardhjes së regjimit komunist në fuqi, por zbutej nga emigracioni. Mbyllja e kufijve për pesë dekada do ta bënte atë aq të madh gjatë regjimit komunist.  
      Por ne mund të gjykojmë për shkallën e terrorit të ushtruar në Shqipëri në këtë operacion të madh ushtarak të regjimit kundër popullsisë, nisur nga fakte të tjera me vlerë të tërthortë. Njësia elitë e ushtrisë partizane, Brigada I, në këtë operacion pësoi humbjen më të madhe gjatë gjithë historisë së saj, në Kelmend, ku në janar 1945, humbi 37 vetë gjatë një beteje, dhe 44 vetë gjithsej gjatë gjithë operacionit trejavor në Kelmend.[lxxiv]      Beteja e Kelmendit në janar 1945 do të ishte beteja më e përgjakshme e ushtrisë partizane, për shkak se në të u vranë edhe 15 partizanë nga Brigada XXIV, pra gjithsej 52 vetë, brenda tre ditëve.[lxxv]
      Është shumë domethënëse se kjo nuk ishte një betejë kundër pushtuesve të huaj, por kundër shqiptarëve që kishin bërë krimin e vetëm se nuk pranonin regjimin komunist. Nëse vrasjet pa gjyq qenë një praktikë rutinë e regjimit, edhe gjyqet qenë në fakt vrasje politike. Kjo kuptohet kur në procesin hetimor të Xoxes zhvillohet ky dialog mes Prokurorit, Bedri Spahiut, dhe të pandehurit Xoxe:
       Pyetje: Në procesin e datës 11.2. 1949 ke thënë se për ndonjë proces të rëndësishëm ke shfaqur mendimin për dënimet që duhej të caktonin gjykatat. A qëndron gjithnjë në këtë mendim?
      Përgjigje: Gjyqet e rëndësishme, siç janë Gjyqi Special, gjyqi i Maliqit, i deputetëve, i S.B.S, dy tre gjyqe që janë bërë në Shkodër, nja dy një Gjirokastër e në Korçë, u janë caktuar dënimet gjykatave me vendim të Byrosë. Gjykatat kanë pasur direktivë që të konsultoheshin në dhënien e dënimeve me organet e Sigurimit e të Partisë.[lxxvi]
      Prokurori, Bedri Spahiu, edhe vetë anëtar i Byrosë Politike, si dhe Xoxe nuk e gjeti me vend të thoshte asgjë, se këtu dilte qartë që edhe vetë prokurori ishte po aq fajtor sa i pandehuri për akuzat. Aq më tepër që Byroja Politike, shtabi i terrorit në vend, ishte forumi më i lartë një partie ilegale. Regjimi i ri kishte nxjerrë ligje, por në vend sundonte fryma antiligj, që derivonte nga koncepti se agjenda konspirative e regjimit të ri ishte ligji suprem në vend. Hoxha në kujtimet e veta tregon këtë episod nga një vizitë në Bukuresht në verën e vitit 1948, kur së bashku me homologun e vet rumun po udhëtonte me automobil:
       Kur hyra në makinë, m’ u duk se s’ isha në një veturë, por si në një arsenal të vërtetë: edhe në anën time, edhe në anën e Dezhit kishim nga një njëzetëshe gjermane me nga dy karikatorë rezervë për secilin, nën këmbët e mia dhe të Dezhit nga një tjetër njëzetëshe gjermane, me të tjerë karikatorë e, sigurisht, po aq kishin edhe roja me shoferin… Përshtypja ime ishte jo e mirë, jo pse Dezhi kishte menduar të merrte masa për mbrojtje, por se ato masa ishin të tepruara. Ato tregonin se shokët rumunë ose ishin aq frikacakë sa u kishte hyrë lepuri në bark, ose situate në vendin e tyre nuk ishte aspak e qetë, sic donin të tregoheshin ata.
      Kur i bëra vërejtjen  «për arsenalin» Dezhi m’ u përgjigj:
      -Duhet të jemi vigjilentë!
«Dakord që duhet të jemi vigjilentë, thosha me vete, por jo të na trembë armiku. Duhet ta tmerrojmë ne atë dhe ta bëjmë të dridhet». Me sa dukej, armiku në Rumani nuk kishte ngrënë dajak si te ne.[lxxvii]
      Në fakt Hoxha nuk ishte gjendur në një situatë kaq luftarake as kur ishte komandant partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur nuk e kishte shkrepur kurrë «Mauzerin» e vet. Do të kishte qenë ironi e madhe sikur kjo gjë të kishte ndodhur në Bukuresht, në 1948. Hoxha thoshte të vërtetën për dallimin mes Shqipërisë dhe Rumanisë në aspektin për të cilin flet ai. Në Shqipëri tashmë (në verën e vitit 1948) qenë eliminuar fizikisht pothuajse të gjithë ata të cilët i kishin bërë çfarëdolloj rezistence aktive regjimit të ri, madje edhe pothuajse të gjithë ata për të cilët mendohej se mund t’ i bënin rezistencë me armë regjimit të ri në të ardhmen.
      Një përfundim tek i cili nuk mund të mos arrihet duke kqyrur terrorin e regjimit komunist, është ai se komunistët, pasi u dhanë kundërshtarëve të tyre një leksion se si merret pushteti, kur erdhën në pushtet në 1944, u dhanë një leksion se si luftohet rezistenca ndaj regjimit. Gjatë rezistencës së armatosur antikomuniste (1944-1953) regjimi komunist reagoi me një dhunë të skajshme, duke goditur grupimet e gjëra që shikoheshin si potencial dhe mbështetës të rezistencës ndaj regjimit, dhe jo thjesht individët përgjegjës. Synimi i parë i regjimit komunist ishte që të eliminonte atë që e quante baza e lëvizjes kundër tij. Pra, goditja bëhej kolektive. Individët aktivë ndiqeshin për t’ u asgjësuar pasi qenë izoluar nga baza e tyre, njerëzit e së cilës internoheshin, terrorizoheshin dhe praktikisht kontrolloheshin me pengmarrje. Komunistët shqiptarë i bënë këto gjëra sipas manualeve sovjetike të ofruara ironikisht nga Tito, i cili më pas do të bëhej antistalinist.
      Një nga pasojat më të këqija imediate të ardhjes në fuqi të regjimit të Hoxhës ishte zhdukja pothuajse e plotë e njerëzve me diplomë universitare të marrë para vitit 1944. Në 30 prill 1965 Hoxha do të thoshte në një takim me përfaqësues të rretheve marksiste-leninistë të Italisë:
      Kur u çliruam, ne kishim gjithsej 380 kuadro të lartë.[lxxviii]
      Me termin «kuadro të lartë» në këtë rast quhen njerëzit me arsim të lartë, pra me diplomë universitare. Kështu, del se Shqipëria në 1945 kishte rreth dy herë më pak njerëz me shkollë të lartë se në vitin 1923, kur vendi doli nga Lufta e Parë Botërore. Që nga viti 1923, e deri në 1943, kur komunistët filluan luftën civile në shkallë të gjerë, numri i të diplomuarve me shkollë të lartë u shumëfishua si rezultat kryesisht i bursave të studimit që jepte regjimi i Zogut (një nga përfituesit kishte qenë Hoxha) dhe sidomos qeveria italiane.
      Në vitet 1943-1944 vendi u privua nga pjesa më e madhe e njerëzve të mësuar të tij, të shkolluar në Perëndim, e gjithë kjo si rezultat i vrasjeve politike të kryera nga komunistët në vitet 1943-44, si dhe i arratisjes së njerëzve të shkolluar në prag të ardhjes së regjimit komunist në vend. Ata 380 njerëz me diplomë universitare perëndimore që regjimi i ri trashëgoi nga e kaluara, do të qenë shënjestra të parapëlqyera të terrorit në vitet në vazhdim, si intelektualë borgjezë. Ata do të qenë kontigjenti nga i cili do të furnizoheshin trupat e të pandehurve në gjyqet e montuara politike të regjimit për dekada të tëra, kur një apo disa intelektualë borgjezë do të qenë si «qershia» mbi «tortën» e gjyqeve të montuara që shërbenin organet e dhunës së regjimit. Lufta e regjimit kundër intelektualëve qe e ngjashme me luftën e regjimit kundër ekonomisë së vendit. Ajo krijoi një vakuum njerëzish të shkolluar në vend, se regjimi ende nuk kishte të shkolluarit e vet të cilët do të dilnin nga shkollat sovjetike dhe të vendeve të tjera komuniste, në vitet pesëdhjetë. Hoxha tha në Kongresin I në 1948:
       Prej 143 mësuesve të shkollavet të mesme 48 veta kanë arsimin e lartë ose arsimin e lartë të pambaruar.[lxxix]
      Kjo do të thoshte se katër vjet pas ardhjes së regjimit të ri në pushtet, në arsimin shqiptar gjërat qenë kthyer pas në fillim të viteve njëzet. Regjimit të ri do t’ i duheshin së paku 15 vjet për ta çuar komunitetin e njerëzve me diplomë universitare në vend në nivelin e vitit 1943, dhe kjo në sasi por jo në cilësi se niveli i dijeve në universitetet e vendeve të Lindjes komuniste, ku niveli ishte më i ulët se në ato perëndimore. Në 1957 regjimi komunist shpalli me mburrje si arritje të vetën të madhe krijimin e universitetit në Shqipëri, por sipas të gjitha gjasave ardhja në fuqi e regjimit të ri e kishte vonuar këtë gjë me së paku dhjetë vjet. Në rast se nuk do të kishte qenë terrori komunist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ardhja e regjimit të ri, universiteti në Shqipëri ishte dashur të hapej fill pas Luftës së Dytë Botërore, se tashmë vendi kishte intelektualë të përgatitur për këtë gjë. 
      Një nga aspektet më të këqija të luftës së regjimit kundër intelektualëve qe lufta kundër klerit katolik, i cili përbënte një pjesë të rëndësishme të klasës intelektuale të vendit. Në letër regjimi i ri zotohej se do të respektonte lirinë e fesë dhe institucionet fetare në vend, por në realitet, Hoxha, në raportin e mbajtur në Plenumin IV të Komitetit Qendror të PKSH, në tetor 1945, tha:
       Kleri katolik është një ent i organizuar mirë, me tradita dhe me lidhje të ngushta me reaksionin e jashtëm e me Vatikanin. Prandaj organizimit të tij duhet t’ i kundërvemë organizimin tonë më të shëndoshë, politikës së tij vijën tonë politike të drejtë dhe ta detyrojmë të luftojë në terrenin tonë dhe jo në terrenin e tij dhe me parrullat që do ai.[lxxx]
      Kjo ishte një shpallje lufte ndaj një institucioni fetar, të cilin regjimi e shikonte si forcën më të organizuar reaksionare që kishte mbetur në vend. Shpejt u bë e qartë se ç’ kuptonte regjimi me tërheqjen e klerit katolik për të luftuar në terrenin e regjimit. Taktika e futjes së armëve në kisha, për të arrestuar dhe dënuar me vdekje klerikët katolikë u bë shpejt një rutinë.
      Regjimi që solli privimin e vendit nga intelektualët mund të ishte gjendur në një vend krejt të paralizuar, sikur të mos përdorte si skllevër italianët e mbetur në Shqipëri. Në fund të vitit 1944 në Shqipëri kishte 25 mijë ushtarakë dhe civilë italianë.[lxxxi]
      Shumë prej tyre qenë specialistë në fusha të ndryshme të ekonomisë, inxhinierë, teknikë të mesëm dhe punëtorë. Në 27 dhjetor 1944, shefi i Misionit Ushtarak Italian në Shqipëri, të dërguar pas luftës nga qeveria italiane e koalicionit antifashist, gjeneral Gino Piccini i shkrojti një letër Hoxhës ku i kërkoi riatdhesimin e këtyre njerëzve «për arsye njerëzore».[lxxxii] Hoxha e kundërshtoi riatdhesimin e italianëve, me arsyetimin se ata qenë robër lufte dhe se do të liroheshin kur të nënshkruhej traktati i paqes mes dy vendeve. Hoxha nuk kishte asnjë të drejtë që të mbante as ushtarakët italianë, se qeveria e drejtuar prej tij nuk qe pranuar si anëtare e Koalicionit Antifashist Ndërkombëtar. E megjithatë regjimi mbajti jo vetëm ish-ushtarakët italianë por edhe civilët, se donte t’ i përdorte ata për punë të detyruar dhe praktikisht si pengje për ta detyruar qeverinë italiane t’ i paguante shifrën absurde të parave që regjimi i kërkonte si dëmshpërblime lufte. Në 24 gusht 1946 qeveria shqiptare e kryesuar nga Hoxha deklaron se specialistët dhe teknikët italianë patën qenë:
       pjesë e pandarë e ushtrisë okupuese dhe robër lufte.[lxxxiii]
      Regjimi komunist i porsaardhur në fuqi, e përdori praninë në Shqipëri të një numri të madh specialistësh italianë të fushave të ndryshme të ekonomisë, të mbetur nga koha e luftës, për t’ i lejuar vetes luksin e eliminimit të pjesës më të madhe të intelektualëve shqiptarë jokomunistë, gjë që në rrethana të tjera nuk mund t’ ia lejonte vetes, se i nevojiteshin këta specialistë. Kështu, praktikisht, italianët e gjendur në Shqipëri i shërbyen për herë të dytë udhëheqjes komuniste shqiptare për të ndërmarrë spastrime të llojit të luftës së klasave. Herën e parë kjo ndodhi në shtator 1943, kur udhëheqja komuniste partizane e përdori dyndjen e ushtarëve italianë me bindje të majta në radhët partizane, pas kapitullimit të Italisë, për të shkallëzuar luftën civile.
     Regjimi i Hoxhës kishte shpresë që të mbahej për një kohë të gjatë me dëmshpërblimet që do të merrte nga Italia. Për këtë qëllim Hoxha, në traditën e Sheme Hajdutit, për të cilin këndonte këngë në fëmijëri dhe rini, kërkoi për lirimin e italianëve shifrën absurde prej 1 miliard e 161 milion dollarë. Në ndërkohë mijëra specialistë civilë italianë që mbetën në Shqipëri pas luftës u trajtuan si robër lufte dhe u vunë të bëjnë punë të detyruar. Këta kompensuan mungesën e specialistëve në vend. Këta italianë kishin bërë shumë për Shqipërinë dhe po keqshpërbleheshin.
      Me çështjen e riatdhesimit të këtyre italianëve, me kërkesën e qeverisë italiane dhe të familjeve të tyre u mor Kryqi i kuq Ndërkombëtar, UNRRA etj. Hoxha më pas pretendoi që duhet të mbetej në Shqipëri ajo pjesë e italianëve që nevojiteshin për punë, dhe këta qenë disa mijëra. Italianët e mbetur arritën derisa të bëjnë grevë që t’ i linin të lirë të iknin. Për t’ i trembur italianët të cilët qenë në Shqipëri dhe për t’ i detyruar që të punonin si skllevër për regjimin u organizuan gjyqe të montuara ku inxhinierët dhe teknikët italianë u dënuan si sabotatorë, në industrinë e naftës dhe në tharrjen e kënetës së Maliqit, për veprime që supozohej se i kishin bërë të shtyrë nga misionet britaniko-amerikane në Shqipëri. U takoi inxhinierëve dhe teknikëve italianë fati i keq që të promovonin serinë e gjyqeve të montuara të regjimit për sabotimet në industrinë e naftës të cilat më pas do të bëheshin një rutinë. Një nga organizatorët e këtyre gjyqeve do të ishte komisari i jashtëzakonshëm për naftën i regjimit, Koço Theodhosi, i cili 30 vjet më pas do të dënohej dhe pushkatohej me të njëjtat akuza. Hoxha shkruan:
       Në Kuçovë, misioni britanik, nëpërmjet agjentit të tij, Taraskonit, fashist italian i mbetur në Shqipëri, tentoi të shkatërronte puset dhe distilerinë e naftës. Agjenti u zbulua. Në gjyq ai u nxorri në shesh horrllëqet «miqve». [lxxxiv]
      Nuk merret vesh se përse britanikët dhe amerikanët duhet t’ i bënin këto sabotime, kur siç do të pohohej në Kongresin I të PKSH (këtë do ta citoj pak më poshtë) ndihmat e tyre patën peshë të madhe për mbajtjen e vendit në dy vjetët e para të regjimit të ri? Shumë nga këta italianë të mbajtur peng në Shqipëri vdiqën nga uria dhe sëmundjet. Në 1946 në Shqipëri kishte ende 2500 italianë, të gjithë specialistë në fusha të ndryshme të ekonomisë.[lxxxv]     

4.
Heshtja enigmatike për Marrëveshjen e Jaltës: «Hermani» shikon «fytyrën e konteshës plakë»

      Një nga enigmat më interesante të Hoxhës është heshtja e tij për Marrëveshjen e Yalta-s, në kohën që u arrit dhe u shpall ajo, në shkurt 1945. Në rast se do të ishte i vërtetë miti historik se Hoxha përfitoi nga Marrëveshja e Yalta, duke siguruar pushtetin, atëherë ishte dashur që Hoxha ta përshëndeste arritjen e kësaj marrëveshjeje, në shkurt 1945. E pra, Hoxha, bëri të kundërtën, ai heshti për të. Marrëveshja e Yalta-s ishte një rast që Hoxha t’ u çonte një telegram Tre të Mëdhenjve, duke shprehur miratimin e qeverisë shqiptare për marrëveshjen, si dhe duke shprehur edhe një herë kërkesën për njohjen e qeverisë së tij. Hoxha jo vetëm që nuk e bëri këtë, por madje as që e përmendi Marrëveshjen e Yalta në fjalimet e mbajtura në atë kohë. Pse? Hoxha, i cili ndihej i kërcënuar nga britanikët, pati pritur që nga Konferenca e Yalta-s, e tre Të Mëdhenjve, t’ i vinte siguri, nëpërmjet Bashkimit Sovjetik.
      Hoxha, me të ardhur në Tiranë, në krye të regjimit, ëndërronte që, përveç Beogradit, të bënte dhe një vizitë në Moskë, në «Romën» e komunizmit ndërkombëtar. Hoxha pa se Tito e vizitoi Bashkimin Sovjetik si lider i Jugosllavisë së re, që në vitin 1944. Ndërsa Hoxha nuk e pati këtë fat kur erdhi në pushtet, çka do ta shtonte ankthin e tij. Për këtë gjë ai do të shkruante në kujtimet e veta, në kohën kur do të vizitonte për herë të parë Bashkimin Sovjetik në korrik 1947:
       Dëshira jonë për të dërguar një delegacion të nivelit më të lartë në Bashkimin Sovjetik ishte një dëshirë e zjarrtë, që vlonte prej kohësh në zemrat tona... Këtë gjë ua kishim shprehur edhe atyre shokëve sovjetikë që ishin në vitet e para në Shqipëri, kishim kërkuar edhe ndihmën e Partisë Komuniste të Jugosllavisë e, më pas, kur u hapën ambasadat, e Bashkimit Sovjetik në Tiranë dhe jona në Moskë, në njërën ose në tjetrën mënyrë, e kishim shprehur edhe zyrtarisht dëshirën tonë. Përgjigjet qenë plot buzëqeshje, por buzëqeshjet nuk thoshin asgjë. Përse vallë kështu?! Mos kishim ndonjë gabim në rrugën dhe në punën tonë që na bëhej pengesë. Pa të meta nuk qemë, po s’ gjenim ndonjë shkak të tillë që të na mbyllte rrugët. Mandej nuk kuptonim diçka tjetër: Nëse ne kishim gabime, përse nuk na i thoshin hapur, si komunisti komunistit.[lxxxvi]
      Vizita te Stalini për një kryetar partie komuniste në pushtet ishte marrja zyrtare e çertifikatës së legjitimitetit. Duke mos njohur nuancat e politikës ndërkombëtare të Stalinit, Hoxha ka pasur prirjen që ta interpretojë refuzimin për këtë vizitë në sens ideologjik, sipas kompleksit të vet të inferioritetit si komunist. Hoxha ka menduar se Stalini nuk e shikonte atë si komunist, aq më pak si një udhëheqës komunist.
      Në prag të fillimit të Konferencës së Yalta, Hoxha shikonte se britanikët po bënin veprime që faktikisht synonin të merrnin nën kontroll paqësisht Shqipërinë, duke përfituar nga fakti se vendi kishte nevojë emergjente për ndihmë ekonomike. Hoxha do ta quante këtë, në mënyrë të pasaktë, si  kamuflim të ndërhyrjes ushtarake. Ai do të thoshte në raportin e vet në Kongresin I të PKSH, në nëntor 1948:
       Përveç kërkesavet të 16 dhe 19 shtatorit (1944- K.M.) imperialistët tentuan dhe më pas për ndërhyrje të armatosur direkte në Shqipëri, siç është kërkesa e Feld Mareshallit Aleksandër më 22 janar 1945 që misioni ushtarak aleat të vendosesh me një mision britanik mjaft të gjerë dhe me në krye një general. Qeveria dhe Partia jonë refuzoi duke pranuar që gjer sa të njihesh Qeveria të qnëdronte misioni i vjetër, i cili në realitet përbëhesh vetëm nga oficerë Englezë. Padyshim ultimatumi i Feld Mareshallit Aleksandër nuk mungoi t’ arrinte dhe kërkoi që «sidomos t’ i tregohet Gjeneral Hoxhës se në rast se ay nuk do të dëshëronte ta pranonte propozimin për një mision, një akt i tillë do ta vononte pa tjetër njohjen akoma më tepër». Ay kërkonte përgjigje brenda «tri ose katër ditësh e shumta».
      Qeveria britanike me anën e këtij misioni të ri, në formë që t’ informohesh mbi gjendjen në Shqipëri përpara se të njihte Qeverinë, në realitet misioni i ri do të shërbente si pararojë me një ndërhyrje të armatosur të gjerë.[lxxxvii]
      Nëse se britanikët kishin ndërmend të ndërhynin ushtarakisht në Shqipëri për të përmbysur regjimin, pse duhet që të bënin këto lojëra të sofistikuara, kur mund të vepronin thjesht siç kishin bërë në Greqi? Prandaj qëllimi i britanikëve në këtë rast nuk ka qenë invadimi i vendit, por thjesht ndihma ekonomike, sipas praktikës që ata kishin në atë kohë. Pas të gjitha gjasave, në atë kohë, politika e amerikanëve dhe britanikëve në Jugosllavi dhe Shqipëri ishte që ta bënin udhëheqjen komuniste të këtyre vendeve të bindej se, jo Bashkimi Sovjetik, por vetëm SHBA dhe Britania e Madhe qenë në gjendje t’ u ofronin ndihmën ekonomike për të cilën kishin nevojë këto vende. Në rastin e Shqipërisë, perëndimorët, qartësisht kishin gabuar duke e marrë të mirëqenë se Hoxha dhe pjesa tjetër e udhëheqjes komuniste të vendit, qenë seriozisht të interesuar për zhvillimin ekonomik të vendit.
      Por ndoshta Hoxha kishte të drejtë në mënyrën e tij të të menduarit, se në rast se në vend do të vinte një ndihmë kaq e madhe perëndimore, atëherë kjo do të ishte një goditje në themelet e regjimit. Shqipëria e re do të ndërtohej mbi themelin e urrejtjes dhe armiqësisë ndaj Perëndimit. Regjimi, sipas shembullit sovjetik, e ndjente instinktivisht se mirëqenia e popullsisë, aq më tepër ajo mirëqenie me prejardhje perëndimore, qe vrastare për të. Shqipëria e re duhet të ishte një shoqëri e jetës civile të militarizuar, e jetës së vështirë dhe të varfër, ku mirëqenia do të ishte një ideal për t’ u arritur në të ardhmen, por që nuk do të arrihej kurrë dhe që në fakt nuk duhej të arrihej kurrë. Kështu regjimi do të ishte gjithmonë i sigurt. Nëse do të vinte mirëqenia, kjo shoqëri e militarizuar dhe regjimi bashkë me të, do të transformoheshin në atë kahje që kishte frikë regjimi, në një lloj shoqërie që ishte normale për pjesën tjetër të botës.
     Marrëveshja e Yalta-s, e cila u arrit më pak se dy muaj pasi Hoxha i kishte urdhëruar forcat e veta ushtarake që të dislokoheshin në mënyrë që të prisnin një sulm nga bregdeti, në vend që ta qetësonte Hoxhën e shqetësoi edhe më tepër. Ekziston një spekulim historiografik, sipas të cilit, fakti që Shqipëria nuk përmendet në Marrëveshjen e Yalta-s tregon se aleatët perëndimorë ia lanë Shqipërinë Bashkimit Sovjetik. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Kjo mospërmendje tregon se Stalini e kishte lënë Shqipërinë jashtë sferës së interesave të tij. Mjaft që të lexosh tekstin e marrëveshjes zyrtare të Konferencës së Yalta-s, që u bë publik me përfundimin e konferencës, për ta kuptuar se sensi i marrëveshjes ishte që atje të përmendeshin vendet ku Bashkimi Sovjetik kishte interesa për atë që e shihte si zona e vet influencës për të garantuar sigurinë e kufijve të tij. Synimi ishte që aleatët perëndimorë të bënin alibinë që po ia linin këto vende Bashkimit Sovjetik.
      Vendet europiane ku Bashkimi Sovjetik nuk kishte interesa, u përmendën në marrëveshje ose në protokollin që iu bashkëngjit asaj, vetëm me kërkesën e aleatëve perëndimore, saktësisht të Britanisë së Madhe, për çështje konkrete. Kështu është domethënëse se Greqia përmendet në vetëm në protokollin që iu bashkëngjit marrëveshjes, dhe kjo nuk bëhet me nismën e delegacionit sovjetik, por me insistimin e delegacionit britanik, i cili kërkoi dhe ia arriti që të mbahej shënim për çështjen e rivendikimeve territoriale të Greqisë ndaj Bullgarisë, si dhe për dëmshpërblimet e luftës që Greqia i kërkonte Bullgarisë. Stalini nuk shikonte  ndonjë interes sovjetik në Greqi, ose e quante një rrezik të tepruar të kërkonte një gjë të tillë. Sipas marrëveshjes së përqindjeve Churchill-Stalin të tetorit 1944, Bashkimi Sovjetik kishte 10% influencë në Greqi, cka nuk mund të kishte kuptim tjetër përvec atij që në Greqi do të tolerohej të kishte një parti komuniste që do të merrte 10% të votave, ashtu sikurse këtë kuptim kishte influenca perëndimore që u fiksua me përqindje në tre vendet lindore tashmë të okupuara nga ushtria sovjetike, Bullgari, Rumani, Hungari, si dhe Jugosllavi. Stalini nuk u implikua në luftën civile greke, ku jugosllavët qenë sponsorët kryesorë të guerriljes komuniste në Greqi, se kishin rivendikime për një pjesë të territorit të Greqisë, Maqedoninë e Egjeut, të banuar nga popullsi sllave. Stalini, në takimin që pati me Titon në Moskë, në maj 1946, kur tashmë qe duke rifilluar lufta civile në Greqi, i paralajmëroi jugosllavët:
       Njerëzit luftë dashës po provojnë të tërheqin grekët në luftë.[lxxxviii]
      Pastaj Stalini shtoi duke iu drejtuar delegacionit jugosllav:
       Ju doni një luftë tjetër që t’ u rrahin përsëri dhe sllavët të humbin dhjetë milion njerëz të tjerë?[lxxxix]
      Por Stalini nuk ushtroi presion të fortë mbi jugosllavët që në fillim, në 1946, që të ndërprisnin mbështetjen për guerriljen komuniste në Greqi, se ai llogariste me diabolizmin e tij të zakonshëm që të përfitonte nga nxjerrja jashtë ligjit e partisë komuniste në Greqi, për të prishur marrëveshjen e përqindjeve për Bullgarinë, Rumaninë dhe Hungarinë. Edhe Italia u përmend në protokollin e Yalta-s vetëm me insistimin e delegacionit britanik për shkak të shqetësimit që kishte Londra nga rivendikimet territoriale të ekzagjeruara të Jugosllavisë ndaj Italisë. Shqipëria nuk u përmend as në marrëveshjen kryesore dhe as në protokollet e saj, çka do të thoshte se Bashkimi Sovjetik nuk shfaqte ndonjë interes për Shqipërinë. Marrëveshja e Yalta-s në fakt u jepte dorë të lirë aleatëve perëndimorë për një ndërhyrje ushtarake në Shqipëri, si ajo në Greqi.
      Në Marrëveshjen e Yalta-s sigurisht që u përmend Jugosllavia, se perëndimorët dhe në atë kohë vecanërisht britanikët, qenë të vendosur të mos lejonin daljen sovjetike në Mesdhe. Në fillim, pas Marrëveshjes së Yalta, u duk sikur Stalini, duke ndjekur edhe pikëpamjen gjeopolitike tradicionale ruse ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, e shikonte Jugosllavinë si vendin që duhet të përmbyllte krahun jugperëndimor të zonës sovjetike të influencës, të konceptuar si zonë sigurie për kufijtë sovjetikë. Kjo përshtypje u krijua kur Bashkimi Sovjetik, dy muaj pas Konferencës së Yalta, nënshkroi me Jugosllavinë një traktat miqësie dhe ndihme reciproke, që përmbante dhe dispozita ushtarake që sanksiononin një aleancë ushtarake mes dy vendeve. Kjo përbënte një dhunim të marrëveshjes së përqindjeve të tetorit 1944 mes Churchill-it dhe Stalinit, sipas së cilës në Jugosllavi influenca sovjetike dhe ajo perëndimore duhet të qe e barabartë, në masën 50-50%. Derisa në Jugosllavi ishte vendosur tashmë një regjim komunist dhe kjo influencë në përqindje nuk mund të materializohej në përqindjen që zinin partitë në parlament, atëherë mbetej që ajo të shprehej duke u larguar Bashkimi Sovjetik nga Jugosllavia dhe duke u armiqësuar me të, cka Stalini do ta bënte tre vjet më vonë.
      Në kohën e Konferencës së Yalta, Stalini, siç e kam cituar më lart, e shikonte si të tepërt dhe problematike aventurën jugosllave në Shqipëri. Stalini e kuptonte se perëndimorët do ta perceptonin kontrollin e Shqipërisë nga Jugosllavia si kontroll by proxy të Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik dhe dalje të Bashkimit Sovjetik në Otranto, cka Stalini e shikonte si një ngacmim të tepërt ndaj Perëndimit, se kjo do të interpretohej nga perëndimorët si krijimi një baze për ekspansion sovjetik në të gjithë Mesdheun. Stalini e kuptonte se bërja e Shqipërisë një satelit sovjetik kompromentonte qëndrimin sovjetik për çështjen e ngushtinave detare turke, për të cilat Moska kishte kërkuar koncesione në Konferencën e Yalta, dhe për të cilat në protokollin që iu bashkëngjit Marrëveshjes së Yalta-s u ra dakord që të diskutohet në të ardhmen. Nëse Stalini e justifikonte kërkesën e tij për ndryshimin e statusit ndërkombëtar të ngushtinave detare turke, me faktin që ato përbënin portën detare jugore të Bashkimit Sovjetik, çka ngjante e arsyeshme, kjo gjë do të dukej ndryshe nëse Bashkimi Sovjetik dilte në Otranto by proxy, me anë të Jugosllavisë.  
      Prandaj Stalini tregohej shumë i kujdesshëm, në mënyrë që të mos u krijonte përshtypjen aleatëve perëndimorë se ai kishte të bënte me atë që ndodhte në Shqipëri dhe se ky vend hynte në ndonjë farë mënyre në sferën e interesave sovjetike. Kjo ishte arsyeja që, edhe pse britanikët që në mars 1945 kishin sjellë si shef të misionit të tyre në Shqipëri, një gjeneral, dhe amerikanët kishin sjellë një mision civil, sovjetikët ende e mbanin nivelin e përfaqësimit të ulët me një major, atë që kishin çuar që në kohën e luftës. Shefi i Misionit të SHBA në Shqipëri Jacobs do të shkruante për takimin e tij me të dërguarin sovjetik në Shqipëri majorin Ivanov, në 15 maj 1945:
       Në orën 10 të këtij mëngjesi unë vizitova majorin Ivanov, të misionit rus... unë u befasova shumë për sjelljen e butë dhe jo të ftohtë të majorit, i cili fliste më shumë për pritjen e gjatë para se të kthehej në Moskë, se sa për çfarë ai kishte bërë për problemet e Shqipërisë.[xc]
      Me sa duket Stalini priste që britanikët ta invadonin Shqipërinë. Shqipëria ishte i vetmi vend komunist ku nuk kishte trupa sovjetike, i cili nuk lidhi një traktat miqësie dhe aleance me Bashkimin Sovjetik, pas Luftës së Dytë Botërore. Jugosllavia e bëri traktatin që në prill 1945, para se trupat sovjetike të tërhiqeshin nga Jugosllavia. Me vende të tjera satelite, si Hungaria, Rumania, Bullgaria, Moska nuk lidhi traktate se ato kishin qenë aleate të Gjermanisë dhe më parë duhej bërë një traktat paqeje mes tyre dhe  vendeve të koalicionit antifashist me të cilat ato kishin qenë në luftë, duke përfshirë dhe Bashkimin Sovjetik. Shqipëria ishte rast i veçantë, qartësisht e lënë e zbuluar nga Moska. Nuk ka arsye të thuhet se Stalini e bënte këtë gjë duke menduar se Shqipërinë do ta kontrollonte me anë të Jugosllavisë, se prishja e Stalinit me Titon do të vinte pikërisht për shkak të aventurave jugosllave në Shqipëri, që Stalini i shikonte si rrezik për sigurinë sovjetike, derisa mes Bashkimit Sovjetik e Jugosllavisë kishte një traktat aleance ushtarake. Kjo ishte një gjë e dukshme edhe për Hoxhën, pavarësisht se nuk i kuptonte, ose më saktë i keqinterpretonte motivet e sjelljes së Stalinit.
      Gjithsesi, kjo gjendje sillte që ankthi i Hoxhës të vazhdonte të rritej. Aq i terrorizuar duket Hoxha nga kjo sjellje e Stalinit, saqë edhe telegramin ku e uron Stalinin për fitoren mbi fashizmin, e bëri tetë ditë me vonesë, në 17 maj 1945. Kuptohet se në këtë rrethanë një telegram ka kuptim kur bëhet ditën që shpallet ngjarja, ose e shumta të nesërmen. Pas tetë ditësh mund të çohej një letër. Por qartësisht Hoxha ka pritur që t’ i thonë jugosllavët për këtë gjë, ndërsa Tito duket se ka menduar se nuk ishte nevoja që ta mësonte Hoxhën edhe për një gjë kaq të thjeshtë. Jugosllavët duket se e kanë marrë vesh me vonesë që nga Tirana nuk ishte nisur ende telegram në Moskë për të uruar fitoren dhe i kanë thënë Hoxhës që ta bënte këtë gjë.
      Në telegramin e Hoxhës për Stalinin nuk ka asnjë nuancë ideologjike komuniste. Kuptohet jo se nuk donte Hoxha, por se nuk donin sovjetikët. Hoxha i drejtohet Stalinit me «Shkëlqesë».[xci]
      Hoxha thotë në telegramin për Stalinin, në 17 maj 1945:
      Në emër të gjithë popullit shqiptar kam nderin t’ i drejtoj Shkëlqesës Suaj si dhe gjithë popujve të Bashkimit Sovjetik dhe Ushtrisë së Kuqe të lavdishme, urimet më të nxehta për fitoren e madhe të korrur në luftë me nazizmin gjerman.[xcii]
      Për Stalinin kjo luftë ishte shndërruar tashmë në një luftë për triumfin e pansllavizmit. Në pritjen e dhënë në Kremlin, në 24 maj 1945, për nder të ushtarakëve të ushtrisë sovjetike, me rastin e fitores, Stalini do të mbante një fjalim të shkurtër në gjuhën e vjetër nacionaliste të carëve:
       Unë pij para së gjithash, për shëndetin e popullit rus sepse ai është kombi më i përmendur prej gjithë kombeve që hyjnë në përbërjen e Bashkimit Sovjetik. Unë e ngrej dollinë për shëndetin e popullit rus sepse ai në këtë luftë ka merituar njohjen e të gjithëve si forcë drejtonjëse e Bashkimit Sovjetik ndërmjet të gjithë popujve të vëndit tonë. Unë e ngrej dollinë për shnëdetin e popullit rus jo vetëm sepse ai është popull drejtonjës, por edhe sepse ai ka mendje të kjartë, karakter të qëndrueshëm dhe durim.[xciii]
      Është sa e çuditshme aq edhe domethënëse që Stalini, pikërisht në festën e triumfit mbi Hitlerin, i cili postulonte supremacinë e popullit gjerman, postuloi supremacinë e popullit, rus, një herezi e dyfishtë kjo për ideologjinë zyrtare sovjetike. Me këtë Stalini konfirmoi ato që kishin thënë Hitleri dhe Musolini në prag të Luftës së Dytë Botërore se Stalini me spastrimet e tij i kishte dhënë fund bolshevizmit internacionalist, duke e zëvendësuar me një lloj fashizmi sllav. Hoxha e kishte cuar Shqipërinë në anën e pansllavizmit. Jugosllavia komuniste, të cilën Hoxha e shikonte si aleate, do të ishte pikërisht një shtet i këtij lloji, i cili do t’ i kërkonte Hoxhës bashkëpunim për shtypjen e shqiptarëve të atjeshëm. Hoxha në kujtimet e veta bën një apologji për bashkëpunimin e tij me jugosllavët në genocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe trojeve të tjera në Jugosllavi, në dimrin e përgjakshëm të viteve 1944-45 dhe në pranverën e vitit 1945. Atje, në atë periudhë,  me urdhër të Hoxhës kishin shkuar forca të mëdha partizane nga Shqipëria shtetërore, të cilat duhej të luftonin kundër gjermanëve (që në nëntor 1944 po largoheshin me shpejtësi nga këto territore), por në realitet për t’ u ndihmuar komunistëve jugosllavë që të nënshtronin popullsinë shqiptare në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare tej kufirit. Shumë vite më pas, Hoxha do ta gjente të nevojshme që të bënte një apologji për qëndrimin e tij gjatë genocidit të dimrit 1944- 1945 në Kosovë e trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi. Hoxha do të thoshte në kujtimet e veta, të botuara në vitin 1982:
       Mirëpo tamam kur Kosova ishte kthyer në një çerdhe të Luftës Nacionalçlirimtare, erdhi papritur urdhri nga shtabi i Titos që, forcat partizane të Shqipërisë e ato kosovare, të linin Kosovën e ta ndiqnin armikun nazist «drejt Veriut» të Kosovës, në thellësi të Jugosllavisë. Forcat tona e zbatuan këtë, sepse ato kishin shkuar për ta ndjekur fashizmin gjer në çlirimin e plotë të popujve të Jugosllavisë. Por, më pas, do të mësonim se qëllimi i urdhrit të Titos për «ndjekjen e armikut në thellësi», s’ ishte gjë tjetër veçse përsëritja, thuajse e përpiktë, e asaj dhelpërie që ishin munduar të realizonin dikur kralët e knjazët në luftën kundër zgjedhës otomane. Sidomos kur u pa qartë se forcat osmane po shkatërroheshin e Shqipëria ndodhej në prag të pavarësisë kralët e Serbisë e knjazët e Malit të Zi, ç’ nuk bënë që forcat kryengritëse shqiptare ta linin Kosovën e çliruar e të angazhoheshin sa më gjatë në ndjekje të forcave osmane në viset e tjera, «drejt Jugut». Qëllimi i tyre ishte që ushtritë serbo-malazeze të pushtonin Kosovën e vise të tjera të Shqipërisë pa hasur në qëndresën e forcave kryengritëse shqiptare, bile edhe të forcave pushtuese osmane. Pikërisht këtë po bënte edhe Titoja më 1945. Në Kosovën e çliruar nga forcat e ushtrisë sonë e ato kosovare, forcat e ushtrisë titiste hynë për eliminimin e këshillave nacionalçlirimtare që ishin ngritur dhe për ndezjen e terrorit të shfrenuar e masiv kundër shqiptarëve. Kjo raprezalje e paparë e titistëve me të drejtë shkaktoi revoltën e madhe popullore, e cila vuri në dyshim edhe «Jugosllavinë e re», sepse me të drejtë populli kosovar s’ po shihte asnjë ndryshim nga ato që kishte pësuar nën «Jugosllavinë e vjetër».[xciv]
      Ajo që vihet re këtu është se Hoxha shikon si përgjegjës për genocidin titoistët, kur e vërteta ishte se për këtë qenë përgjegjës kryesisht rankoviçistët, ndërsa krahu titoist ishte ai që edhe më pas do t’ i mbronte shqiptarët e Jugosllavisë. Krahasimi që bën Hoxha me vitin 1912 nuk është bindës për faktin se, siç thotë vetë ai, shqiptarët nuk u gënjyen në 1912, kështu që nuk kishte arsye përse të gënjeheshin Hoxha dhe të vetët në 1944-45. Pastaj si mund të besohet që Hoxha dhe të vetët, të cilët nuk u gënjyen nga fjalët e italianëve dhe të gjermanëve, të cilat duhet të tingëllonin më bindëse, derisa Italia dhe vendet gjermanike kishin bërë shumë për Shqipërinë, u «gënjyen» nga fjalët e serbëve të cilët kishin qenë armiq historikë të shqiptarëve?! Hoxha, në vazhdim, e tregon kështu përrallën e apologjisë së vet:
       Populli patriot i Kosovës, në këtë situatë tepër të ndërlikuar, kërkoi «kthimin e partizanëve shqiptarë», me qëllim që situata të zgjidhej drejtësisht e të pushonte terrori i egër. Titoja me shokë, për të evituar ndërlikimin e mëtejshëm të situatave, u detyruan ta pranonin këtë kërkesë dhe partizanët u kthyen. Në Kosovë nuk gjetën kurrfarë forcash «të organizuara reaksionare», siç propagandonin jugosllavët, por gjetën një popull që i priti partizanët tanë njëlloj sikur të bënin një çlirim të dytë të Kosovës. Situata u qetësua dhe pas kësaj Titoja planifikoi manovrat e reja. Lufta tash kishte mbaruar, në situatën e re ai mund t’ i zgjidhte me forcat e veta problemet e mprehta në Kosovë. Por që ta bënte këtë, larg syve të botës e sidomos larg syve tanë, i duhej që forcat tona të largoheshin përfundimisht nga Kosova e të ktheheshin në Shqipëri. Po si? Nga largimi i drejtpërdrejtë i forcave tona nga Kosova nëpërmes kufijve të atjeshëm shtetërorë, do të krijoheshin skena të papëlqyeshme, ndoshta të rënda për titistët. Kosovarët mund të ngriheshin përsëri në revolta, kur të shihnin se forcat e ushtrisë sonë po largoheshin. Për të dalë nga kjo situatë, Titoja përsëri kopjoi kralët e dikurshëm dhe inskenoi «nevojën e ndjekjes së bandave reaksionare drejt Jugut, drejt Greqisë» e, për këtë, kërkoi «ndihmën» e atyre forcave tona që ndodheshin atje. Ne, që ende s’ i dinim mirë planet e fëlliqura të Titos, u dhamë urdhër divizioneve të vepronin. Pasi mbërritën në kufijtë më jugorë të Maqedonisë, forcave tona iu tha se «s’ ishte më nevoja» për qëndrim në Jugosllavi! Kalimi u bë në zonën e Korçës e të Prespës, larg syve të popullit të Kosovës. Tito-Rankoviçët mbetën të lirë për të vepruar, siç vepruan, me metodat e tyre barbare mbi Kosovën martire.[xcv]
      Kështu, sipas Hoxhës del se jugosllavët na e paskan gënjyer atë në të njëjtën mënyrë dy herë, gjë që nuk duket asfare e besueshme. Por ajo çka kuptohet nga ato që thotë Hoxha më lart është se ai nuk mund të thoshte se nuk e dinte ç’ bëhej në Kosovë. E megjithatë ai mbeti mik me jugosllavët, ose më saktë vasal i tyre, derisa nuk u prish Stalini me Titon në 1948. Apologjia e Hoxhës duket edhe më hipokrite po të konsiderosh se në atë kohë një pjesë e madhe e viktimave shqiptare të genocidit serb u kaluan nëpër territorin e Shqipërisë shtetërore. Zoi Themeli, nënkolonel i Sigurimit të Shtetit, do të deklaronte në 6 prill 1949 para Komisionin Hetimor të ngritur posaçërisht për çështjen e Xoxes:
       Nga mesi i vitit 1945 jugosllavët, duke shoqëruar një numur kosovarësh të mobilizuar për në Mal të Zi, rrugës vrisnin njerëz nga këta në masë pas pasur asnjë faj, dhe nga ky veprim disa nga këta kosovarë duke shpëtuar nga plumbat e trockistëve mundën të ikin dhe të dorëzohen në organet tona, duke kërkuar mëshirë dhe mbrojtje për të shpëtuar kokën… Mirëpo Koçi Xoxe që, siç dihet, ishte bashkëpunëtor me këta (jugosllavët) dhe në shërbim të këtyre, mbas disa ditëve na urdhëroi që kosovarët e dorëzuar ose të kapur t’ u dorëzohen jugosllavëve.[xcvi]
      Këtu është fjala për mijëra shqiptarë nga Kosova që u kaluan nga jugosllavët në rrugën Prizren-Kukës-Shkodër për t’ u çuar në vendin ku u eliminuan fizikisht në mënyrë masive. Xoxe vërtet kishte përgjegjësi për dorëzimin e shqiptarëve të Kosovës tek vrasësit e tyre, megjithëse Xoxe pohoi se çdo gjë e kishte bërë me dijeninë dhe miratimin e Hoxhës, por ky i fundit kishte përgjegjësinë se edhe pas këtyre veprimeve të jugosllavëve vazhdonte t’ i quante ata miq edhe për tre vjet, derisa qenë jugosllavët që u prishën me të, dhe jo ai me ta.
      Nga pohimet e Zoi Themelit në Komisionin Hetimor në prill 1949 del se jugosllavëve u qe dhënë edhe e drejta të bënin drejtpërdrejt arrestime në territorin e Shqipërisë shtetërore dhe t’ i çonin njerëzit në Jugosllavi për t’ i eliminuar:
       Mbas çlirimit të Shqipërisë janë lejuar organet e UDB-së që të ngrinin spiunazhin në Shkodër me qëllim që gjoja këta të zbulonin armiqtë e popullit jugosllav, t’ i arrestonin vetë dhe të bënin si të donin me këta njerëz. Kështu që në atë koha OZNA (sot UDB) kishte dërguar për këtë punë majorin e OZNA-s Niko Piper. Ky arrestoi një numër njerëz pa pyetur aspak organet tona dhe i shoqëronte për në Jugosllavi. Nga këta njerëz që arrestoheshin shumë prej këtyre vriteshin rrugës, duke i maskuar, dhe ka ndodhur që të jenë vrarë edhe në tokën tonë.[xcvii]
      Hoxha do t’ i çonte forcat partizane nga Shqipëria shtetërore për të bërë terror ndaj shqiptarëve të përtej kufirit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në trojet e tjera shqiptare që sot janë në Maqedoni. Kjo gjë pohohet tërthorazi edhe në botimet zyrtare të regjimit të Hoxhës. Kështu, në librin «Fjalori Enciklopedik Shqiptar», botim zyrtar i regjimit, thuhet për Brigadën XVII partizane të Shqipërisë, se hyri në Divizionin IV në 17 nëntor 1944 dhe:
      Pas kësaj veproi me sukses për asgjësimin e forcave reaksionare në Maqedoni, në zonat e Gostivarit, të Kërçovës e të Tetovës.[xcviii]
      «Reaksionarët» atje qenë shqiptarët që nuk pranonin sundimin sllav. Apologjia e Hoxhës për genocidin sllav në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi, në 1944-1945 mund të quhet: Oh quel gachis të Hoxhës për Kosovën!- sipas një historie që tregon ai me një bashkënxënësin e vet në Liceun e Korçë, shqiptar nga Kosova, i cili do të ishte një nga viktimat e këtij genocidi. Hoxha e tregon kështu në kujtimet këtë histori me bashkënxënësin e vet Kel (Mikel) Gashi:
       Qeshnim kur ngrihej shoku ynë i klasës Kel Gashi, në dërrasë të zezë. Keli ishte nga Mirdita, në qoftë se s’ gabohem, sidoqoftë ishte nga malësitë e Veriut. Frëngjishten mezi e fliste dhe mësimet i kapte me zor. Ishte shok i qeshur e simpatik, tash nuk di ç’ është bërë. E ngrinte profesori dhe i thoshte:
-Thuamë ligjin e Arkimedit!- dhe Keli ia fillonte:
-Un corps plonge dans l’ eau, un corps...dhe kështu vazhdonte pesë, shtatë herë me radhë. Nuk i kujtohej rasti i ligjit dhe përsëriste si gramafon vetëm fillimin. E kështu qesh ne dhe qesh Sen Zheneja. Pastaj Keli, që ta ndreqte, kërcente në ligjet e Lavuaziesë dhe kështu bënte një mish-mash të madh. Sen Zhëneja më në fund i thoshte:
-Oh quel gachis!
Ia fillonim përsëri të qeshurit, pse në frëngjisht emri dhe mbiemri i Kelit, të thëna së bashku, duan të thonë «ç’ katranosje!», me një fjalë «çfarë rrëmuje!» dhe kjo për çudi i shkonte si gant Kelit, pse ai ishte i hallakatur dhe i parregullt jo vetëm në mësime, por edhe në jetë.[xcix]
      Mikel Gashi nuk ishte nga Mirdita, por nga Mitrovica dhe nuk ishte aspak ashtu siç e përshkruan Hoxha, siç del edhe nga jetëshkrimi i tij:
       Mikel Gashi ka lindur në Mitrovicë, më 1907, ku edhe kreu shkollën fillore në gjuhën shqipe të hapur nga austriakët më 1916. Mbas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe krijimit të qeverisë së Sulejman Delvinës, Keli ikën nga Kosova dhe vjen në Shqipëri, për të vazhduar studimet e mëtejme. Me bursën e shtetit shqiptar, si konviktor, Mikeli më 1921 filloi në Korçë Liceun Kombëtar Franko-Shqiptar...Kel Gashi pas 9 viteve studime mbaron liceun me bakaloriatin e dytë, më 1930, në profilin filozofi, me gjuhë të dytë «anglishten», me vlerësimin «mirë». Përsëri me bursën e shtetit, dërgohet në Francë për studime universitare, mbasi punoi dy vite mësues e kujdestar konvikti në Burrel. Kështu në vjeshtën e vitit 1932 dërgohet në Paris, ku studioi për filozofi dhe linguistikë pranë Universitetit të Sorbonës. Në qershor 1936 kthehet në atdhe me licencën dhe emërohet mësues pranë Institutit Teknik të Tiranës... në nëntor 1941 doli vullnetar për të shkuar në Kosovë... ai emërohet zv. Drejtor i Liceut në Tetovë... Mbas luftës Kel Gashi është zhdukur nga UDB jugosllave.[c]
      Kel Gashi, ndryshe nga Hoxha i përfundoi studimet universitare në Francë dhe u diplomua atje. Hoxha nuk thotë se ç’ ndodhi me Kel Gashin, i cili u eliminua në atë fushatë kundër intelektualëve shqiptarë që në atë kohë kryhej në sintoni në dy anët e kufirit nga serbët dhe regjimi i Hoxhës. OZNA në atë kohë kishte si prioritet eliminimin e intelektualëve shqiptarë të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi, të cilët qenë shkolluar në Perëndim, për t’ i lënë shqiptarët pa një elitë. Të njëjtën gjë bënte dhe Hoxha këtej kufirit. Ky qëndrim në Jugosllavi ndaj shqiptarëve do të ndryshonte më pas kur vendi u lidh me Perëndimin, dhe shqiptarët e atjeshëm do të shkolloheshin edhe në Perëndim. Në Shqipëri gjërat shkuan ndryshe për shkak të kursit në të cilin kishte hyrë vendi.
      Beogradi do t’ ia shprehte Hoxhës mirënjohjen për atë që bëri për shtypjen dhe asgjësimin e shqiptarëve të Jugosllavisë, duke i akorduar gjatë vizitës që ai bëri në Jugosllavi, në qershor 1946 Urdhrin «Hero i Popujve të Jugosllavisë», duke qenë Hoxha i vetmi i huaj që do të mbante këtë urdhër. Në ceremoninë e dorëzimit të urdhrit në fjalë, në 26 qershor 1946, Hoxha do të shprehej:
       Jam i gëzuar dhe i lumtur që po marr nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Jugosllavisë dekoratën më të madhe të popujve të Jugosllavisë «Urdhrin e Heroit të Popullit»... Në çastet më të vështira vendi ynë ka gjetur mbështetjen më të madhe te Jugosllavia dhe populli ynë ka pasur në popujt e Jugosllavisë së re miqtë dhe aleatët më besnikë.[ci]
      Këto fjalë të Hoxhës bëhen të vërteta të lexuara përmbys, pra se Jugosllavia, në momentet e vështira, gjeti në Shqipëri njerëz si Hoxha, të cilët e vunë shtetin shqiptar në shërbim të interesave të Beogradit. Në të njëjtën mënyrë duhet lexuar edhe komunikata e 3 korrikut 1946, për bisedimet e Beogradit mes Hoxhës dhe Titos:
       Përfaqësonjësit e Shqipërisë dhe Jugosllavisë vendosën të konkludojnë një pakt miqësie dhe ndihme reciproke. Një pakt i tillë do të konfirmojë vëllazërimin e palëkundshëm të vaditur me gjak, të krijuar në Luftën e madhe Çlirimtare të përbashkët kundër të njëjtit armik, do të konfirmojë vullnetin e popujvet të të dy vendeve për të mbrojtur së bashku dhe në të ardhmen lirinë dhe indipendencën e tyre. Në këto bisedime u arrit në një akord të plotë përsa i përket bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve.[cii]
       Vëllazërimi mes dy regjimeve komuniste të Beogradit dhe të Tiranës ishte vaditur me gjakun e shqiptarëve të Jugosllavisë, të vrarë bashkarisht nga dy ushtritë partizane.


5.
Kapitullim në luftën me britaniko-amerikanët, fitore në luftën me popullin

      Paradoksi i regjimit të Hoxhës në fillim të vitit 1945 ishte se ajo anë nga e cila shihte rrezikun më të madh, britaniko-amerikanët, ishte ana e vetme nga ku mund të merrte dhe ndihmat ekonomike të cilat qenë jetike për vendin. Nga Jugosllavia e varfër dhe e dëmtuar nga lufta nuk priteshin ndihma të shpejta dhe as nga Bashkimi Sovjetik. Duket se kjo situatë në të cilën gjendej regjimi, ishte një nga arsyet që britanikët vendosën që të mos ndërhyjnë ushtarakisht në Shqipëri, për të përmbysur regjimin, por të zgjedhin që ta marrin nën kontroll vendin, duke përdorur forcën e butë, si të thuash, duke eksploituar nevojën e ngutshme që kishte vendi për ndihma. Hoxha shkonte dhe më tej duke parë këtu këtu premisën e një puçi ushtarak. Në Kongresin I të PKSH në 1948, Hoxha do të thoshte duke folur për pranverën e vitit 1945:
       Kjo u provua më pas me ardhjen e misionit ushtarak të Liezonit (M.L.) i cili gjoja do të sillte ndihmë gjersa të fillonte nga puna UNRRA. Kryetari i misionit të ri (M.L.) i parashtroi Qeverisë sonë një konditë sinequanon, d.m.th. se në rast refuzimi të konditavet të tia, arritja e UNRRA-s në Shqipëri do të ishte e pamundur. Cilat ishin konditat e M.L. të paraqitura Qeverisë sonë? Kondita e parë ishte zbarkimi në Shqipëri i 1500-1700 oficerëvet dhe teknikëve englezë për të siguruar ndarjen e ndihmavet që do të sillte ajo organizatë. Ky personel do të vendosesh në portin e Durrësit, n’ atë të Vlorës dhe gjetkë, duke patur zona të caktuara në këto porte, d.m.th. duke patur në duart e tyre dhe duke okupuar gjithë portet e Shqipërisë. Ky propozim sinjifikatif u refuzua kategorikisht. As numuri i këtyre personave, as propozimet e tjera të M.L nuk u pranuan… Synimet e M.L. ishin të kjarta: të pushtonin Shqipërinë me anë të forcës s’ armatosur duke organizuar edhe kryengritjen nga brenda e të përmbysnin Qeverinë demokratike, Pushtetin popullor.[ciii]
      Britanikët i bënin llogaritë e tyre duke u bazuar tek premisa se Hoxha dhe pjesa tjetër e udhëheqjes shqiptare qenë vërtet të interesuar për të mirën e vendit, çka në ato momente kërkonte marrjen e një ndihme të madhe ekonomike të huaj, gjë që mund të vinte vetën nga Perëndimi. Për këtë arsye britanikët mendonin se oferta e tyre nuk mund të refuzohej. Por britanikët dhe amerikanët shpejt do të zbulonin se Hoxha dhe elita konspirative në krye të regjimit, kishin një sens tjetër për të mirën e vendit, ashtu siç thyhej në prizmin e konveniencave të tyre personale, për pushtet. Për Hoxhën dhe pjesën tjetër të udhëheqjes komuniste, ishte krejt e pranueshme që vendi të vuante, në rast se kjo ishte një kosto e domosdoshme për qëndrimin e tyre në pushtet.
      Nisja e presionit britanik ndaj regjimit të Hoxhës në fillim të vitit 1945, duket se është arsyeja që në shkurt Beogradi i kërkoi Tiranës që pas Konferencës së Yalta-s të nënshkruhej përsëri traktati jugosllavo-shqiptar, i pashpallur në dhjetor të vitit të kaluar. Edhe këtë herë traktati u nënshkrua ende pa u lidhur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve! Hoxha u pezmatua kur përsëri nuk e pranuan që të ishte ai që do ta nënshkruante traktatin nga pala shqiptare, edhe pse nga pala jugosllave do të ishte homologu i vet, Tito, ai që do të nënshkruante. Traktati mbi Aleancën dhe Ndihmën Mutuale midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë[civ]u nënshkrua përsëri në Beograd në 20 shkurt 1945, nëntë ditë pas përfundimit të Konferencës së Yalta, nga Tito dhe Myslim Peza. Por përsëri traktati nuk u shpall publikisht, me sa duket se Stalini përsëri nuk e dha lejën për një gjë të tillë.  Hoxha tashmë ishte i bindur se traktati do të shpallej pasi të eliminohej ai. Ai, edhe pse qeveria e tij nuk ishte njohur, jo më nga Tre Mëdhenjtë, por as nga Jugosllavia, në 31 mars 1945, u çoi një kërkesë drejtuar tre kryetarëve të fuqive të mëdha për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara, e cila do të fillonte në 25 prill 1945 në San Francisko! Por kjo qe shfaqje e natyrës së tij prej komediani.
      Në prill Tito shkoi në Moskë, një ngjarje kjo që u ndoq me shumë vëmendje nga Hoxha, i cili mendonte se në takimin e Titos me Stalinin do të vendosej edhe fati i tij. Në 11 prill 1945, dy ditë para datës së caktuar për dhënien e vendimit nga Gjyqi Special, për të akuzuarit si kolaboracionistë, mes të cilëve ishte dhe Omari, në Moskë u  nënshkrua Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik. Traktat përmbante dhe dispozita që krijonin një aleancë ushtarake mes dy vendeve. Kur Hoxha mësoi këtë shqetësimi i tij  duhet të jetë kthyer në panik. Fakti që Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik, të cilët regjimi i paraqiste si miqtë dhe aleatët e mëdhenj të vendit, nënshkruanin një traktat miqësie dhe aleance mes tyre, në një kohë që asnjëri prej tyre, madje as nuk e kishte njohur qeverinë e Hoxhës, bënte që opinionit shqiptar t’ i krijohej se qeveria e re shihej me dyshim jo vetëm nga Perëndimi, por edhe nga Lindja. Kjo ishte ajo që mendonte edhe vetë Hoxha. Në këtë rrethanë, ai, mendoi se qëndrimi i tij indulgjent ndaj Omarit do të interpretohej keq nga sovjetikët dhe jugosllavët, kështu që,  si një «Herman» i vërtetë që luan Tarasin, vendosi ta sakrifikojë kunatin e vet Omarin. Hoxha shkruan për dënimin e Omarit:
       Gjatë po kësaj periudhe, po ky Koçi Xoxe që s’ e kishte për gjë të çonte në gjyq të pafajshmit, bënte lloj-lloj presionesh e demarshesh për të zbutur dënimet e armiqve e armiqve të vërtetë që ishin vënë në bankën e të akuzuarve. Duke i rregulluar telat edhe me Sejfulla Malëshovën e Nako Spirun, propozuan në Byronë politike t’ ua falnin jetën kriminelëve që kishim çuar në gjyq. Në të vërtetë, qëllimi i Koçit, qoftë në dënimin e të pafajshmëve, ashtu edhe në butësinë ndaj kriminelëve ishte që të më kompromentonin mua. Ishte koha kur ky, në bashkëpunim me jugosllavët, pas Plenumit të Beratit, kishte filluar të përgatiste «materiale» me akuza e shpifje kompromentuese për mua. Unë e hodha poshtë propozimin e tyre dhe thashë që të gjithë tradhtarët e kuislingët të dënoheshin sipas vendimeve të gjyqit të popullit, duke mos përjashtuar edhe Bahri Omarin.[cv]
      Hoxha ka menduar se propozimi i Xoxes ishte një provokim për ta kompromentuar atë para Titos dhe Stalinit, derisa vendimi i gjyqit do të jepej në kohën që Tito gjendej në Moskë. Gjithashtu Hoxha ka menduar se Omari do të përdorej më pas nga Xoxe, për t’ i nxjerrë pohime kundër atij vetë. Xoxe nuk do ta kishte të vështirë ta bënte këtë, derisa ai ishte kryetar i Gjyqit Special, ku doli si i pandehur Omari, si dhe Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, që si paraardhëse e Sigurimit të Shtetit mbante të pandehurit e paraburgosur dhe bënte hetimin e tyre. Omari ishte një nga të 60 të ashtuquajturit kriminelë të luftës, të cilët dolën para Gjyqit Special në 1 mars 1945. Ai do të ishte një nga 17 vetët të cilët u dënuan me vdekje pas gjashtë javësh, në 13 prill 1945. Dënimi i tij duket tej mase i rëndë po të mendosh që mes të dënuarve me vdekje nuk qenë ish-kryetari i parë i Partisë Fashiste Shqiptare, Tefik Mborja, dhe dy herë kryeministri në kohën e pushtimit gjerman, Ibrahim Biçaku, të cilët madje nuk u dënuan as me burgim të përjetshëm.
      Omari dhe të tjerët që u dënuan në Gjyqin Special ndoshta mund të qenë fajtorë për ato gjëra që akuzoheshin, por një gjë është e sigurt, se ata që i akuzuan dhe dënuan nuk kishin legjitimitet për ta bërë këtë gjë. Kjo jo thjesht për faktin se regjimi i ri kishte ardhur në pushtet me anë të një puçi dhe nuk shprehte vullnetin e popullit, por edhe për faktin se qenë vetë shokët e tyre ata që i deligjitimuan ata që bënë Gjyqin Special. Kryetari i trupit gjykues, Xoxe, tre vjet më pas do të shpallej trockist, kapitullues para fashistëve, dhe do të dënohej me vdekje. Hoxha do të thoshte për Xoxen në raportin që mbajti në Konferencën II Nacionale të PPSH, në prill 1950:
       Koçi Xoxe, i cili ngriti duartë përpara policisë italiane kur ajo shkoj e arestoj, me gjithë urdhërin kategorik të lëshuar nga Komiteti Central që asnjë anëtar i partisë s’ duhesh të dorëzohej i gjallë në duart e Ovres e të Simit.[cvi]
      Prokurori special, Spahiu, po ashtu, shtatë vjet më pas do të «zbulohej» se kishte qenë anëtar i Partisë Fashiste dhe do të dënohej edhe si trockist. Anëtari i trupit gjykues, Faik Shehu, dy vjet më pas do të pushkatohej si armik, i lidhur me fashistët. Anëtari i trupit gjykues Medar Shtylla kishte marrë rrogën e fashizmit deri në vjeshtën e vitit 1943. Anëtari i trupit gjykues, Beqir Balluku më vonë do të shpallej pjesëtar i një konspiracioni në krye të së cilit ishte një njeri që ndër të tjera u quajt edhe agjent i Gestapos naziste dhe SIM-i fashist, Mehmet Shehu. 
      Sipas traditës orale, Omari, kur u dënua me vdekje nga gjykata, dhe iu refuzua kërkesa për faljen e jetës që, sipas ligjit, i bëri Kryesisë së KANÇ (domethënë mikut të vet të vjetër Omer Nishani-kukullës së Hoxhës), e mallkoi Hoxhën. Mallkimi që i bëri Omari kunatit ishte se ai nuk i dëshironte vdekjen por njërën nga dy gjërat: Ose të detyrohej që të ikte nga vendi si Ahmet Zogu dhe të jetonte në emigracion si qen i zgjebosur, ose që të qëndronte në pushtet sa të qe gjallë, por duke vuajtur nga sëmundje të tilla, që nuk do t’ ia lejonin që të gëzonte pushtetin dhe të mirat e tij, ashtu siç donte ai. Kështu, Omari i uroi kunatit mosmirënjohës, në rastin më të mirë, fatin e mbretit Midas, në trajtën e karikaturës, ashtu siç e meritonte një sundimtar që kishte premtuar me cinizëm ndërtimin e utopisë së «lugës së florinjtë».
      Në kohën që regjimi kishte sukses të plotë në luftën ndaj popullit, ai duke mos patur nga t’ ia mbante, për shkak të kaosit që krijoi në ekonominë e vendit, deklaroi kapitullimin në luftën e ftohtë të filluar prej tij ndaj  Perëndimit, për modalitetet e ardhjes së ndihmave perëndimore në Shqipëri. Hoxha, në stilin e vet karakteristik, e përshkruan këtë kapitullim si një fitore të regjimit të tij:
       Përpara qëndrimit të Qeverisë Shqiptare misioni i M.L. u detyrua ta zbresë numurin e sipërshënuar në 80 persona.[cvii]
      Në fakt kjo ishte në dëm të Shqipërisë dhe jo të ML (Military Liasion), një organizëm i krijuar nga qeveria britanike. Reduktimi i personelit të ML do të thoshte se në vend do të vinte një ndihmë shumë më e vogël. Regjimi, më pas do ta zmadhonte këtë ngjarje, duke e shndërruar nga një episod burokratik, në një betejë të madhe të fituar prej tij. Në një letër të Komitetit Qendror të PKSH, drejtuar gjithë organizatave të partisë në vend, mbi arrestimin e disa deputetëve shkruhet:
       Dhe pikërisht në Maj- Qershor 1945, Anglo-Amerikanët duan të bëjnë tentativën për të zbarkuar forca t’ armatosura të tyre në Shqipëri me anë të M-L.-it, U.N.RR.A.-as dhe të kombinojnë këto veprime me bandat e kriminelave për të përmbysur me forcë Pushtetin Popullor në vendin tonë.[cviii]
      Deri edhe ardhja në Shqipëri e misionit të vogël britanik për të cilin qeveria shqiptare ra dakord, do të shihej në këtë mënyrë prej saj. Dayrell Oakley-Hill, një i njohur i vjetër në këtë libër, i cili erdhi në Shqipëri si President i UNRRA për vendin  e përshkruan kështu në kujtimet arritjen e tij në vend në prill 1945:
       Megjithë 18 automjetet dhe shumë ton furnizime që ishin sjellë për shqiptarët, na u krijuan vështirësi absurde për të zbarkuar dhe kur më së fundi morëm pëlqimin na u kërkua të linim zonën e dokut dhe të qëndronim larg tij; kjo ishte një gjë simptomatike; ishte frika se mos një grup njerëzish të ML-së dhe 18 automjete do të mund të përpiqeshim të zaptonim Shqipërinë.[cix]
      Nëse kjo tregonte diçka, sigurisht që tregonte para së gjithash pasigurinë e madhe të regjimit të ri. Oakley-Hill, i cili do të pritej nga Hoxha pak kohë pas arritjes në Tiranë, shkruan në kujtimet e veta për këtë takim:
       Munda të ve re se fillimisht ai qe i prirur për të mbrojtur vijën se nuk qe nevoja për ndonjë mision; ata kishin njerëz të aftë për të pranuar dhe shkarkuar anije dhe pastaj qeveria e tij do të shpërndante furnizimet. «Pra si mendoni, a nuk do të ishte më mirë që ju të na dërgonit anijet me ngarkesën e tyre dhe më tej ne merreshim vetë me këtë punë?» M’ u desh t’ i shpjegoja se të gjithë misionet e UNRRA-s do të punonin në të njëjtat linja dhe secili mision ishte përgjegjës ndaj qendrës për dorëzimin përfundimtar e korrekt të furnizimeve, për të siguruar shpërndarjen e plotë të tyre dhe për të vlerësuar nevojat e vendit, dhe kjo gjë mund të arrihej vetëm me anë të bashkëveprimit në mes autoriteteve të tij dhe misionit.[cx]
      E gjithë kjo ishte një simptomë e asaj që i kishte sjellë vendit regjimi i ri, izolimit në raport me Perëndimin. Është e qartë se Hoxha vepronte kështu me porosi të jugosllavëve, të cilët nuk e donin praninë britanike dhe amerikane në Shqipëri. Shefit i Misionit të SHBA në Shqipëri, Joseph Jacobs, i cili arriti në Shqipëri pak kohë pas Oakley-Hill do të përshkruante në ditarin e vet përshtypje të ngjashme me ato të britanikut, ku shfaqet dyfytyrësia e Hoxhës. Jacobs shkruan në 9 maj 1945, pas takimit të parë me Hoxhën:
       Gjeneral Hoxha më tha se, unë isha krejtësisht i lirë të shkoja ku të doja për të vëzhguar. Një ditë më vonë unë do të zbuloja që kjo liri e lëvizjes nuk ishte aq e lirë sa më premtoi gjenerali, sepse kamioni im që kishte shkuar në Durrës, për të sjellë pjesën e mbetur të naftës diezel për gjeneratorin e ndriçimit të legatës, nuk ishte lejuar të hynte në qytetin e Durrësit dhe duhej të kthehej bosh.[cxi]
      Duket se Hoxha e gjente të nevojshme të tregohej edhe më tepër arrogant ndaj amerikanëve, për t’ u pëlqyer jugosllavëve, të cilët pak ditë më parë, në fillim të majit, e kishin njohur qeverinë e tij. Atëherë jugosllavët qenë në marrëdhënie të këqija me aleatët perëndimorë për shkak se këta i ndaluan jugosllavët të marrin nën kontroll në fund të luftës qytetin e Triestes, të rivendikuar prej tyre. Por Tito, pas njohjes dhe lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes Jugosllavisë e Shqipërisë, emëroi Ministër fuqiplotë në Shqipëri Velimir Stoiniç, njeriun e Beratit,[cxii]çka i kujtonte Hoxhës poshtërimin e tij në plenumin e nëntorit të kaluar. Në kohën që ushtria partizane jugosllave dhe ajo britanike shtynin njëra tjetrën në rrethinat e Triestes, Hoxha, për t’ u solidarizuar me jugosllavët, bënte një lojë të ngjashme në Shqipëri. Oakley-Hill e rrëfen kështu vazhdimin e historisë së misionit të tij në Shqipëri:
       Nuk po mundnim t’ ia mbushnim mendjen Hoxhës të firmoste një kontratë dhe pengesa kryesore vazhdonte të ishte numri i stafit tonë. Dy nga shefat kryesorë të UNRRA-s, zëvendësshefi Hendrikson dhe komandanti Australian Xhekson, miku im i vjetër i ditëve të Maltës, që ishte zëvendësshef epror, na bënë një vizitë kalimtare të shpejtë, për të parë nëse mund të ushtronin ndonjë ndikim mbi Hoxhën. Në fakt gjërat nuk lëvizën dhe çështja arriti në një pikë të tillë që ML-ja të tërhiqej dhe misionet amerikane e britanike të mos donin të mbanin përgjegjësi nëse ne do të qëndronim pa një kontratë… pas një këmbimi telegramesh me selitë tona i thashë Hoxhës që unë do ta tërhiqja grupin tonë të vogël dhe në qoftë se ai do të dëshirojë që ne të ktheheshim, mund të merrte kontakt me ne në Itali.[cxiii]
      Vetëm shtatë muaj pas përfundimit të luftës marrëdhëniet mes regjimit të ri dhe aleatëve perëndimorë kishin hyrë në një krizë serioze të hapur. Është domethënëse që regjimi e bënte këtë provë force me UNRRA në një kohë që vendi ishte në periudhën e shkallëzimit të një krize humanitare që po shkonte kah një urie masive, e cila pritej të sillte vdekjen e qindra mijë njerëzve, çka do të çonte në mënyrë të paevitueshme në zhdukjen e regjimit. Tregtarët e fshihnin mallin, duke pritur rënien e regjimit. Vendi nuk merrte ndihma nga Jugosllavia dhe aq më pak nga Bashkimi Sovjetik. Në kushtet kur, nga njëra anë qe paralizuar krejt tregtia private me shumicë në vend, ndërsa në anën tjetër nuk qe krijuar as një sistem tregtie shtetërore, nuk kishte mundësi që të shkonte tek blerësit në qytete, prodhimi i korrjeve të vitit 1945. Madje, fshatarët, të cilët nuk mund të blinin më asgjë në tregun e lirë me para, filluan të mos e pranojnë paranë dhe kaluan në shkëmbimin në natyrë. Pasi regjimi i ri e paralizoi tregtinë me shumicë në vend, ai për të siguruar një furnizim minimal të popullsisë, u kthye tek shpikjet leniniste të kohës së pas Revolucionit të Tetorit. Në korrik 1945, filluan të krijohen kooperativat e konsumit në qytete për tregti me pakicë. Në to bënin pjesë banorët që paguanin kuotë për t’ u furnizuar me ushqime, me kupona, gjë që megjithatë nuk funksionoi se kooperativat e konsumit supozohej të siguronin drithë,  bulmet dhe mish në fshat, duke çuar atje mallra industriale, të cilat kooperativat e konsumit nuk i kishin.
      Në këto rrethana, regjimi i ri dhe jugosllavët që qëndronin pas tij e kuptuan se  UNRRA mbetej e vetmja alternativë për ta shpëtuar vendin nga katastrofa e plotë. Por megjithatë u desh një lloj ultimatumi i UNRRA që Hoxha të pranonte ofertën e saj për të shpëtuar nga katastrofa humanitare popullin qeverinë e të cilit ai kryesonte. Oakley-Hill shkruan në kujtimet e veta për këtë:
       Kështu u kthyem në Bari dhe unë vazhdova për në Kazerta; atje mora pëlqimin e shefave për t’ i dërguar një «ultimatum» me shkrim Hoxhës ku thuhej se ne ishim përgatitur të dërgonim një mision me një staf të huaj prej jo më pak se 40 vetësh. Letra ime u nis më 8 korrik dhe mua më kërkuan në Santo Spirito ku ishte selia e misioneve tona. Vetëm më 27 korrik unë mora një telegram nga Kazerta që përmbante një mesazh nga z. Xheikobs i datës 25 korrik dhe citonte një letër të Hoxhës drejtuar atij, e datës 17 korrik, por që ai e kish marrë më 24 korrik. Në atë letër Hoxha i shkruante atij që t’ i kërkonte Okli-Hillit të vinte në Tiranë për të firmosuar marrëveshjen në fjalë.[cxiv]
      Regjimi dhe jugosllavët të cilët qëndronin pas tij, do të kishin qenë të lumtur me largimin e njerëzve të UNRRA, sikur të mos kishin shumë nevojë për ndihmën e saj. E megjithatë pritja që iu bë njerëzve që po vinin të shpëtonin Shqipërinë nga një uri që do të shkaktonte vdekje masive, ishte mëse armiqësore. Oakley-Hill shkruan për mbërritjen e vet këtë herë në Tiranë, në korrik 1945:
       U nisa më 28 korrik ora 9 e paradites… [në] ora ora 10.00 paradite ne mbërritëm në aeroportin e Tiranës…Pjesa më e madhe e fushës së aviacionit, përveç pistës së vetme ishte e mbuluar me hunj vertikalë, të projektuara, mendova unë për të shkurajuar avionët e huaj ushtarakë dhe uljet e avionëve pa motorr.[cxv]
      Këto pengesa tregonin shkallën e perceptimit të rrezikut britaniko-amerikan nga ana e regjimit, se një sulm me avionë ndaj vendit në atë kohë regjimi mund ta priste vetëm nga britaniko-amerikanët. Prioritetet që Hoxha i parashtroi UNRRA-s, në radhën e kërkesave për ndihmë, bënin të qartë se sa jetike ishte kjo ndihmë për vendin. Oakley-Hill thotë:
       Një nga kërkesat për të cilat Hoxha ushtronte trysni të madhe ishte transporti motorik si dhe gomat dhe pjesët e këmbimit për kamionët që tashmë i kishin dhe shumë nga të cilët ishin të tipit të ushtrisë amerikane. Ne e ngritëm zërin për këto, por u desh kohë që t’ i merrnim dhe në vizitat e ndryshme që i bëja Enverit, ai i binte tryezës me grusht dhe thoshte «kur do të vijnë ata kamionë dhe goma?[cxvi]
      Kjo sjellje e Hoxhës ishte tregues i dështimit të parë të madh të regjimit në ekonominë shtetërore të planifikuar, të krijuar sipas modelit të komunizmit të luftës, dhe pikërisht në sektorin e transportit. Transporti ishte bërë tërësisht shtetëror. Që në 7 prill 1945 kishte dalë një urdhër i Hoxhës dërguar Komandave ushtarake të Zonës I, II e III dhe komandave të qarqeve për rekuizimin e automjeteve. Në këtë urdhër thuhej:
       Të gjitha komandat e qarqeve ose komandat e rretheve ku ndodhen makinat, me të marrë këtë urdhër duhet të bëjnë rekuizimin e të gjitha makinave: kamiona, kamionçina dhe autobusa të çdo lloji, me përjashtim të veturave, për të cilat do të jepen udhëzime të veçanta… Bashkë me automjetet do të rekuizohen dhe pjesët e shkëmbimit që kanë të zotët e makinave ose tregtarët e ndryshëm; për këto do të lëshohen dëftesa të rregullta nga komanda e qarkut.[cxvii]
      Konfiskimi i automjeteve private do të thoshte që t’ i jepej coup d’ grace tregtisë private në vend, e cila pa ato nuk mund të bënte transportin e mallrave. Regjimi i ri, në vend që ta përdorte bazën e mirë ekonomike që gjeti për ta zhvilluar më tej ekonominë e vendit, po e shkatërronte atë sistematikisht. Por regjimi dështoi në menaxhimin e parkut të automjeteve të konfiskuara dhe në verë transporti gjendej në krizë të thellë, siç del nga ato që thotë Oakley-Hill. Ky i fundit shkruan se Hoxha do të sillej në të njëjtën mënyrë paranojake edhe kur vinte ndihma britanike në automjete:
       Zemërimi dhe padurimi i tij uleshin diçka kur automjetet arrinin. Ata na dërgoheshin me autokolonë nëpërmjet kufirit me Malin e Zi dhe na duhej punë e madhe për të marrë lejen e shoferëve për t’ i sjellë ato në Durrës e për t’ ua dorëzuar shoferëve shqiptarë.[cxviii]
      Regjimi nuk lejonte që automjetet të vinin me anije në Durrës, çka do të kishte qenë mënyra më e thjeshtë dhe e shpejtë, nga frika se mos kjo përdorej për të kamufluar një operacion invadimi nga deti. Ndërsa ardhja e tyre në rrugë tokësore nga Jugosllavia, e cila gjithashtu merrte ndihma nga UNRRA, shihej si mënyra më e sigurt. Ironikisht, kamionët amerikanë të sjellë nga UNRRA do të përdoreshin nga regjimi edhe për transportin e të arrestuarve, internuarve, dhe për lëvizjen e ekspeditave ndëshkimore në krahina të ndryshme të vendit. Gjithsese, regjimi, me ndihmat në ushqime që solli UNRRA dhe me automjetet e saj, mundi të siguronte një minimum ushqimi për popullsinë e qyteteteve si dhe ta shpërndante atë, duke bërë që kjo popullsi të arrinte të mbijetonte. Oakley-Hill shkruan në kujtimet me një ironi angleze:
       Një njeri i zakonshëm do të mendonte që 25 milion dollarë furnizime nga pothuajse të gjitha llojet e materialeve dhe pajisjeve do të meritonin të paktën një faleminderit të lehtë. Por njeriu i zakonshëm është krejtësisht i paaftë të kuptojë mendësinë komuniste. Qeveria jo vetëm që bëri zhurmë të madhe lidhur me lejen tonë për të hyrë në vend, por kur ne hymë ata filluan të kërkonin çdo gjë si një të drejtë dhe të bënin kritika për shumë gjëra që ne sillnim.[cxix]
      Sovjetikët në 1947 i dhanë Shqipërisë vetëm 6 milion dollarë kredi për katër vjet. SHBA dhe Britania e Madhe në vitet 1945-1946 dhanë katër herë më tepër dhe e gjithë kjo ishte falas. Asnjë nga ndihmat që do të merrte më pas regjimi nga aleatët e vet lindorë, Bashkimi Sovjetik dhe Kina nuk do të ishte kaq e madhe për një periudhë kohe kaq të shkurtër, sa ajo e UNRRA. Më vonë Hoxha do të thoshte se Shqipërinë në vitin 1945 e shpëtoi nga uria Stalini. Hoxha do të thoshte në Mbledhjen e Moskës, të partive komuniste e punëtore të botës, në 16 nëntor 1960:
       shoku Stalin më 1945, kur populli ynë rrezikohej nga uria, i ktheu nga rruga vaporët me bukë, që ishin destinuar për popullin sovjetik, që atëherë gjithashtu ishte keq për bukë, dhe ia dërgoi menjëherë popullit shqiptar. Kurse udhëheqja e sotme sovjetike i lejoi vetes veprime të shëmtuara.[cxx]
      Në fakt të vërtetën e kësaj çështjeje e kishte thënë vetë Hoxha në Plenumin IV, në tetor 1945, por që nuk ishte publikuar në atë kohë:
       Me BRSS bëmë një marrëveshje tregtare me të cilën ai na shet 20 000 ton grurë dhe një sasi të vogël materialesh kimike. Të gjithë vleftën e këtyre ne detyrohemi t’ ua kthejmë në fund të vitit 1946, duke e shlyer ose me mallra të tjerë që disponojmë ne, ose me devizë të huaj.[cxxi]
      Siç shihet, Bashkimi Sovjetik nuk ia dha grurin Shqipërisë as me kredi, por ia shiti me një afat të shkurtër pagese. Një ngushëllim për britanikët do të ishte fakti se në Kongresin I të PKSH, në 1948, do të pranohej tërthorazi ndihma britaniko-amerikane e UNRRA, sigurisht pasi u anatemuan drejtpërdrejt SHBA dhe Britania e Madhe. Gogo Nushi, në raportin «Mbi pllanin ekonomik të shtetit» tha:
       Në periodën dyvjeçare pas çlirimit ne i përballuam këto nevoja me rezervat e vëndit, të cilat kapin shumën lekë 2.125.489.640 dhe nga disa ndihma që Qeveria jonë mundi të shkëpuste nga UNRRA, por tani ishte momenti i mbarimit të këtyre rezervave dhe gjëndja sa vinte e vështirësohej.[cxxii]
      Kështu, vetë regjimi komunist e pohoi se në dy vitet e para të tij, e vetmja ndihmë e huaj ka qenë ajo amerikano-britanike. Kjo ndihmë do të kishte qenë qartësisht shumë më e madhe sikur regjimi të mos e pengonte për shkak të dyshimeve të tij.
      Pasi regjimi mundi ta shpëtojë popullin shqiptar nga kriza humanitare, ku e kishte çuar vetë, me ndihmën e «imperialistëve» britanikë dhe amerikanë, tashmë atij i mbetej të përmbushte premtimin e tij utopik të «Lugës së florinjtë». Historia e regjimit të Hoxhës mund të shikohet si një numër sitcom-esh (komedi situatash-seriale komike televizive), ku Hoxha ishte aktori kryesor, por jo regjisori. Madje në fakt këto qenë tragjikomedi. Një nga këto sitcom-e ishte ai për ekonominë, që fare mirë mund të quhet «Luga e florinjtë», sipas premtimit që i kishin bërë Hoxha popullit në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
      Në vitet e para regjimi i ri filloi që arritjet e tij ekonomike t’ i krahasonte me vitin 1938, vitin e fundit të monarkisë. Kjo nuk ishte plotësisht e drejtë se ekonomia shqiptare qe dyfishuar gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore falë ndihmës italiane. Për shembull stadiumi ku regjimi do të bënte për gjysmë shekulli manifestimet e tij masive të llojit sovjetik, qe ndërtuar në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Gjithsesi, krahasimi me vitin 1938, duke e marrë vitin 1945 si vitin zero, do të kishte sens në rast se edhe regjimit të para Luftës së Dytë Botërore i njihej diçka e tillë. Shqipëria e viteve njëzet kishte dalë nga Lufta I Botërore ku vendi kishte pësuar shumë më tepër dëme se në Luftën e Dytë. Vetë Hoxha, në tetor 1957, në një artikull të gjatë me titull «Influenca e Revolucionit Socialist të Tetorit në Shqipëri», do të thoshte për dëmet që pësoi Shqipëria në Luftën e Parë Botërore:
       Ushtritë e huaja dhe luftimet që u zhvilluan në tokën e Shqipërisë i sollën vendit tonë rrënime akoma më të mëdha. Si rezultat i luftës, i zisë së bukës, dhe i epidemive, iu shkaktuan popullit shqiptar 70 mijë të vdekur, përveç shkatërrimeve të shumta.[cxxiii]
      Lufta e Parë Botërore realisht mbaroi për Shqipërinë në fund të vitit 1921 kur ushtria serbe u tërhoq përfundimisht nga territoret e gjera që mbante të pushtuara në Shqipërinë e Veriut, pasi bëri dhe një mësymje tjetër të fundit drejt Tiranës. Në ndërkohë, po atë vit u tërhoqën dhe ushtritë greke nga disa territore që mbanin në Shqipërinë e Jugut. Kështu që për Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore, si viti zero, çfarë merrte Hoxha vitin 1945, duhej marrë viti 1922. Nga viti 1922 dhe deri në vitin 1938, të cilin Hoxha e merrte si pikë reference për krahasime, janë 16 vjet. Qeveritë shqiptare të cilat kanë qenë në fuqi gjatë kësaj periudhe e morën vendin vërtet në pikën zero, pasi që ai, përveçse nga Lufta e Parë Botërore kishte dalë nga sundimi osman nga i cili vendi nuk trashëgoi  asnjë ndërtim me vlerë. Regjimi i Hoxhës do të ishte në një situatë shumë më të mirë se qeveritë shqiptare të periudhës pas Luftës së Parë Botërore, prandaj qe një gënjeshtër ajo që thoshte Hoxha, siç bëri në 24 mars 1946, kur tha në fjalimin para Kuvendit Popullor për paraqitjen e programit të qeverisë së kryesuar prej tij:
       Të ndërtosh Shqipërinë e re do të thotë të ndërtosh ato që na dogji dhe na shkatërroi armiku, në rradhë të parë, dhe të kalosh më tej me forca të dyfishuara.[cxxiv]
      Shqipëria e djegur dhe e shkatërruar që mori në dorë regjimi i ri ishte një shpikje e propagandës së regjimit, që me kalimin e kohës do të bëhej një nga alibitë e tij për gjendjen e keqe ekonomike në vend, si dhe një masë e rreme për të matur arritjet e regjimit. Kjo bëri që të krijohen shumë anekdota gjatë regjimit komunist, që në vitet e para. Kështu thuhej se regjimi i ri e tregoi vitalitetin e vet kur që nga data 17 nëntor 1944, kur gjermanët ikën nga Tirana dhe deri në 28 nëntor të atij viti, për 11 ditë, ndërtoi bulevardin e madh të Tiranës, ku Hoxha eci në këmbë atë ditë, Hotel «Dajtin», nga ku ai foli, ndërtesat e ministrive që duken në sfond etj. Kush thoshte ndryshe ishte reaksionar. 
      Krahasimet që bënte Hoxha me vitin 1938 për arritjet e regjimit të vet do të kishin kuptim sikur të bëheshin 16 vitet e para të regjimit, edhe pse kjo nuk ishte e drejtë për dy arsyet që thashë më lart. Por Hoxha do t’ i vazhdonte krahasimet me vitin 1938 deri në vdekje dhe po kështu bëri dhe pasardhësi i tij, derisa ekzistoi regjimi komunist. Me kalimin e kohës këto krahasime u bënë absurde se jepeshin në shifra në përqindje, të cilat nuk shprehnin asgjë.


6.
Presidenti i Frontit Demokratik: «U përpoqëm t’ u linim të kuptonin anglo-amerikanëve se në vendin tona ka një demokraci të gjerë liberale».

      Ishte praktika e jugosllavëve, e kopjuar nga Stalini, dhe e verifikuar që gjatë kohës së luftës, që t’ i fajësonin udhëheqësit shqiptarë për gjërat që kishin bërë me sugjerimin e e vetë atyre dhe pastaj t’ i detyronin të bënin autokritikë për këtë gjë. Kështu do të ndodhte dhe me qëndrimin e e udhëheqjes shqiptare ndaj aleatëve perëndimorë, për të cilin në «Konkluzione të Byrosë Politike të KQ të PKSH për vijën oportuniste të Sejfulla Malëshovës», të dhjetorit 1945, u tha nga Hoxha:
       U përpoqëm t’ u linim të kuptonin anglo-amerikanëve se në vendin tona ka një demokraci të gjerë liberale dhe kështu, për të shpejtuar njohjen e qeverisë, u theksua tendenca oportuniste në vijën politike tonën karshi anglo-amerikanëve. Nuk e orientuam popullin tonë të kuptojë sa duhet rrezikun e reaksionit të jashtëm që përfaqësohet nga politika anglo-amerikane.[cxxv]
      Hoxha me këtë pohonte se ai thjesht deshi të krijojë iluzionin se në vend kishte demokraci, më tepër për të mashtruar anglo-amerikanët, dhe jo popullin, për të cilin duket se regjimit nuk i bëhej dhe aq vonë. Është domethënëse se ajo që Byroja Politike do ta quante «demokraci e gjerë liberale» në fakt nuk ishte gjë tjetër veçse një version i demokracisë sovjetike, i kopjuar simultaneisht sipas performancës jugosllave. Teatri i demokracisë, me Hoxhën në rolin kryesor, ngriti perden në 5 gusht  1945, kur në Tiranë do të hapej Kongresi I i Frontit Nacionalçlirimtar, në ditën kur i njëjti kongres hapej edhe në Jugosllavi. Kjo ishte një mënyrë për të treguar se të dy vendet po shkonin drejt bashkimit në një shtet të vetëm. Në kongres Fronti Nacionalçlirimtar ndryshoi emrin në Front Demokratik dhe Hoxha u zgjodh president. Në letër Fronti Demokratik ishte organizata politike që mbante pushtetin në vend. Në realitet, siç ka pohuar vetë Hoxha, të cilin e kam cituar më lart, Fronti nuk ishte qendra reale e pushtetit, por ishte vetëm maska e partisë ilegale. Fronti Demokratik ishte një organizatë totalitare. Sipas statutit, anëtar ishte çdo qytetar shqiptar në moshë madhore, përveç atyre që mund të përjashtoheshin për motive politike.
      Fronti Demokratik do të ishte fytyra e asaj që do të quhej «demokraci popullore», një zhvillim ky i konceptit leninist «demokraci proletare». Në librin «Historia e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik», botim zyrtar sovjetik i vitit 1959, thuhet:    
       Provë e zhvillimit krijues të marksizmit është zbulimi i formës së re të diktaturës së proletariatit- i demokracisë popullore- nga marksistë-leninistët. Para luftës së dytë botërore njihej vetëm një formë e diktaturës së proletariatit- Sovjetët. Eksperienca e Vendit të Sovjetëve, rëndësia e së cilës u rrit edhe më shumë me ndërtimin e shoqërisë socialiste dhe me fitoren e BRSS në luftën e dytë botërore, vërtetoi fuqinë jetike të Sovjetëve. Por, duke pasur parasysh gjendjen ndërkombëtare gjatë luftës së dytë botërore dhe pas mbarimit të saj, duke pasur parasysh zhvillimin real të proceseve revolucionare në vendet, ku u bë revolucioni popullor, marksistë-leninistët, duke u mbështetur në tezat leniniste mbi mundësinë e formave të ndryshme të diktaturës së proletariatit dhe në eksperiencën e masave, zbuluan një formë të re të diktaturës së proletariatit- demokracinë popullore.[cxxvi]
      Pra «demokracia popullore» ishte një formë e diktaturës komuniste. Termi «demokraci popullore» në fakt ishte tautologji, dhe ishte shpikur për dallim nga ajo që Lenini e kishte quajtur «demokraci borgjeze», ku kishte pluralizëm partiak. «Demokracia popullore» ishte përdorimi i fjalës demokraci për të treguar një sistem që nuk kishte të bënte fare me demokracinë. Madje në fakt «sovjeti» ekzistonte edhe në organet e shtetit të demokracisë popullore, madje ishte qeliza bazë. Fronti Demokratik përbëhej nga këshillat popullore si njësi bazike të tij. Ky ishte thelbi i sistemit sovjetik, ku fjala «sovjet» do të thoshte pikërisht «këshill». Qeliza e pushtetit aparent qe këshilla, pra sovjeti. Kuvendi Popullor do të ishte organi më i lartë përfaqësues i demokracisë popullore në Shqipëri, ekuivalenti i Sovjetit Suprem.
      Zgjedhja e Hoxhës në krye të Frontit Demokratik është një gjë mjaft instruktive për të kuptuar se si e perceptonte ai pozitën e vet politike në atë situatë. Sipas modelit sovjetik, meqënëse institucione të llojit të Frontit Demokratik kishin vlerë honorifike, në krye të tyre viheshin persona të nivelit të ulët që i shërbenin regjimit për qëllime decorative dhe jo udhëheqës partiakë. Zgjedhja e Hoxhës në krye të Frontit Demokratik zbulonte përmasat e pasigurisë së tij, e frikës se mos edhe këto institucione honorifike përdoreshin si armë kundër tij. Në fakt, kjo frikë kishte një bazë reale se vërtet ky lloj institucioni qe honorifik, dhe pa pushtet efektiv, por nëse përdorej nga udhëheqës komunistë mund të shndërrohej në një armë politike vrastare, derisa emërimin dhe shkarkimin e kryeministrit dhe ministrave e bënin forumet e Frontit Demokratik. Në fakt, ky dyshim i ndërsjelltë i udhëheqësve komunistë u duk që në Kongresin e Përmetit, në maj 1944, kur u krijua Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, e cila kishte atributet e kreut kolektiv të shtetit dhe përbëhej nga 30 vetë. Ky forum suprem i Frontit Nacionalçlirimtar, i cili qëndroi në fuqi deri në janar 1946, duhet të kishte një vlerë honorifike, dhe në fakt kështu ishte. Megjithatë, Hoxha, duke mos u mjaftuar me faktin që si President i tij u zgjodh njeriu i tij, Omer Nishani, u bë edhe vetë anëtar, duke pasur veç postit të kryetarit të qeverisë edhe atë të bashkëkryetarit të shtetit. Xoxe, që të mos mbetej prapa, u zgjodh nënpresident. Të gjashtë anëtarët e Byrosë Politike të kohës do të qenë anëtarë të Kryesisë, çka do të thoshtë se qenë bashkëkryetarë të shtetit. Nga 15 anëtarë të Komitetit Qendror të kohës, 11 prej tyre qenë anëtarë të Kryesisë, pra bashkëkryetarë të shtetit. Ky forum honorifik do të shndërrohej gjatë gjithë ekzistencës së regjimit (më pas do të quhej Presidium i Kuvendit Popullor) në arenë të lojës së fuqisë mes lobeve të regjimit komunist.
      Derisa Hoxha shtinte në dorë dhe një tjetër levë pushteti, dhe regjimi i ri kërkonte të krijonte përshtypjen e legjitimitetit me lëvizje politike si ndryshimi i emrit të Frontit, në gusht 1945, në këtë kohë regjimi i tij kishte bërë të pakënaqur të gjithë popullsinë e vendit, veç burokracisë së regjimit dhe trupës së tij policoro-ushtarake të dhunës politike. Veçanërisht popullsia e qytetit, e cila e ndjente më shumë krizën e ushqimeve ishte mëse e pakënaqur me regjimin e ri, i cili qe shkaktar i kësaj krize të panjohur edhe në kohën e luftës. Fshatarësia, shumësia e popullsisë së vendit, ishte e pakënaqur me regjimin e ri, se kishte shkatërruar sistemin e tregtisë në vend, që i jepte mundësi fshatarit të shiste prodhimet e veta, dhe të siguronte prodhime industriale dhe mallra të tjera.
      Në verën e vitit 1945, regjimi filloi të vinte në zbatim mekanizmat e komunizmit të luftës në fshat. Në korrik 1945 u vendos ligji për monopolin e shtetit në tregtinë e drithrave me shumicë, cka do të ushtrohej me anë të atij që u quajt Enti Autonom i Drithrave, ku vec përfaqësuesve të shtetit bënin pjesë edhe tregtarë privatë. Fshatarët mund t’ ia shisnin drithin vetëm këtij enti, me cmime të caktuara arbitrarisht prej tij. Enti ishte konceptuar si një mekanizëm shtetëror për grabitjen e fshatarëve. Kuptohet se fshatarët nuk kishin asnjë interes të bënin tregti me këtë ent, duke marrë në këmbim të drithit të tyre kartmonedha me të cilat nuk mund të blihej asgjë në treg, pasi tregtia ishte shkatërruar. Fshatarët e bojkotuan masivisht Entin e Drithrave, duke i shitur prodhimet e tyre në tregun e zi. Kështu, tetë muaj pas ardhjes së regjimit në fuqi, ekonomia e vendit kishte pësuar një shkatërrim total, të cilin nuk e kishte provuar as në vitin 1944, vitin më të keq për vendin në Luftën e Dytë Botërore.
      Regjimi nuk do të mundte ta bënte për vete fshatarësinë as me reformën agrare. Fshatarësia e priste me kureshtje reformën agrare, të cilën komunistët e kishin paraqitur si një mrekulli të utopisë së tyre. Ligji për reformën agrare doli më fund në 29 gusht 1945. Synimi i parë i ligjit ishte që regjimi të krijonte iluzionin se kishte mbështetje dhe legjitimitet, në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm para zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, që do të mbaheshin në dhjetor të atij viti. Për regjimin e ri ishte tepër e rëndësishme kjo gjë, se fshatarësia përbënte shumësinë e popullsisë së vendit. Historiografia zyrtare e regjimit shkruan:
       Sipas regjistrimit të 30 shtatorit 1945, popullsia arrinte në 1 122 044 veta, nga të cilët: 21.3 për qind qytetarë dhe 78.7 për qind fshatarë.[cxxvii]
      Por edhe një pjesë e rëndësishme e popullsisë së qyteteve merrej me bujqësi. Të gjithë këta e prisnin me kureshtje reformën agrare, e cila ishte paraqitur nga propaganda e regjimit si një gjë magjike. Në fakt e vetmja magji e saj ishte ajo e fjalëve. Hoxha, në një artikull të botuar në gazetën «Bashkimi» një javë pas daljes së ligjit, në 2 shtator 1945, do të shkruante:
       Po të studjohet me kujdes reforma jonë agrare, do të shikohet se legjislatorët e popullit tonë janë përpjekur të godasin përgjithnjë feudalizmin shtypës dhe shfrytëzues dhe të mbrojnë katundarin e varfër dhe katundarin e mesëm.[cxxviii]
      Në fakt, po të studiohet me kujdes ligji për reformën agrare i gushtit 1945, do të kuptohet se ai nuk ishte gjë tjetër veçse prova se në Shqipëri kishte filluar të zbatohej pikë për pikë shembulli sovjetik, si një utopi dogmatike, por në trajtë karikature. Në këtë sens, ligji i gushtit 1945 ishte ekuivalenti i dekretit rus për tokën, i dalë në nëntor 1917, i cili sipas Leninit shpronësonte feudalët, mbronte fshatarët e mesëm dhe favorizonte fshatarët e varfër. Politika e Leninit ishte aleanca e fshatarëve të mesëm (74%), me fshatarët e varfër (21 %), kundër fshatarëve të pasur (5%), të cilët shiheshin si armiq të regjimit. Në Rusinë e Leninit, ku kishte një sasi tepër të madhe toke bujqësore, një pjesë e madhe e së cilës kishte qenë në zotërim të pronarëve të mëdhenj, dhe që iu nda fshatarëve, kjo politikë mund të kishte sens, nga pikëpamja e konveniencave të momentit të regjimit bolshevik.
      Në Shqipëri kjo politikë nuk kishte sens në asnjë pikëpamje. Regjimi i Hoxhës i kategorizoi fshatarët në pesë kategori: latifondistë të mëdhenj, pronarë të pasur, fshatarë të mesëm, fshatarë të varfër, dhe fshatarë pa tokë. Sipas shifrave që do të jepte më vonë Hoxha në Kongresin I të PKSH, në 1948, kur komunistët erdhën në pushtet në 1944, në vend kishte shtatë familje latifondistësh (pronarë të mëdhenj toke) të mëdhenj, ose 0.006% e familjeve që zotëronin tokë bujqësore në pronëse, të cilat së bashku kishin 14. 554 ha tokë, ose 3. 70% të sasisë së përgjithshme të tokës.[cxxix]
      Është e qartë se shpronësimi i tyre, ndryshe nga Rusia, nuk sillte veçse një përfitim të pandjeshëm për fshatarët e varfër. Pjesa tjetër e pronarëve të tokave përbëhej nga fshatarë të mesëm dhe të varfër. Sipas shifrave që do të jepte Hoxha në kohën e kryerjes së reformës agrare, si fshatarë të pasur u konsideruan 4713 familje, ose 3.034% e familjeve fshatare, të cilat zotëronin 91.133 ha tokë (19 ha për familje), ose 23.16% të tokës së vendit.[cxxx]
      Këta që në Shqipëri quheshin fshatarë të pasur, në Rusi quheshin fshatarë të mesëm. Në Shqipëri, këta fshatarë të mesëm, të cilët u shpallën të pasur, do të kishin fatkeqësinë që më vonë, sipas dogmës leniniste, të viheshin në shënjestrën e luftës së klasave, duke u shpallur kulakë. Sa për fshatarët e mesëm dhe të varfër, në Shqipëri nuk do të merrej vesh kurrë se sa ishte njëri grup dhe sa tjetri se regjimi dha një shifër të përbashkët për këto dy grupime. Në Kongresin I të PKSH Hoxha tha se në prag të reformës agrare në vend kishte 128 961 mijë familje fshatare, që zinin 83.080% të popullsisë fshatare dhe që zotëronin 237 668 ha tokë (1. 8 ha për familje), ose 60. 43% të tokës së punueshme vendit, të cilat u quajtën fshatarë të mesëm dhe të varfër.[cxxxi]
      Në fakt, sipas kritereve të ndjekura në Rusinë e Leninit, këta të gjithë, për nga sasia e tokës që zotëronin, duhej të qenë fshatarë të varfër. Por regjimit i duhej që sipas formulës leniniste të marrë në mënyrë dogmatike të krijonte fshatarët e mesëm, dhe meqënëse ata që ishin realisht fshatarë të mesëm i shpalli pronarë të pasur, si fshatarë të mesëm shpalli një pjesë të fshatarëve të varfër. Ishte absurde që t’ i quaje fshatarë të mesëm në Shqipëri ata që kishin kaq pak tokë. Këtyre fshatarëve të varfër shteti nuk mund t’ u jepte ndonjë gjë. E vetmja gjë që bëri shteti, dhe nga e cila përfituan paksa fshatarët ishte se 21554 familje pa tokë, që përbënin 13. 880% të popullsisë fshatare përfituan një pjesë të tokave që zotëronte shteti, të trashëguara nga periudha osmane, dhe që quheshin çifligje shtetërore (50 000 ha tokë bujësore, ose 12.71% e tokës bujqësore).[cxxxii]
      Një e treta e kësaj toke u përdor për të krijuar ferma shtetërore, ndërsa pjesa tjetër iu nda fshatarëve pa tokë dhe atyre me pak tokë, sipas vendodhjes së tyre. Por toka që përfituan fshatarët nga kjo ndarje qe shumë e pakët. Reforma agrare e vitit 1945, e bërë sipas modelit rus të viteve 1917-18, i solli shumë pak përfitime fshatarësisë. Sipas praktikës së zakonshme komuniste u shkel edhe vetë ligji i reformës agrare, edhe pse regjimi e kishte bërë vetë atë. Madje Hoxha nuk hezitoi ta deklaronte vetë publikisht këtë gjë. Ai në 2 shtator 1945 në artikullin «Të kuptojmë si duhet Reformën Agrare», të botuar tek Gazeta «Bashkimi», thotë:
       Në disa vende, si për shembull në Dropull e në afërsi të disa qyteteve, dhe që njëkohësisht pronari i tokës ka aq pak tokë saqë ligji i reformës nuk e prek detyrohemi ta shpronësojmë këtë pronar në favor të bujkut.[cxxxiii]
      Në këtë pikë në libër është shënimi shpjegues:
       Është fjala për zanatçinj ose njerëz të profesioneve të ndryshme që banonin nëpër qytete dhe që zotëronin edhe ngastra tokash të cilat nuk i punonin vetë, por ua jepnin për t’ i punuar fshatarëve pa tokë ose me pak tokë, kundrejt një shpërblimi në të holla ose në prodhime bujqësore.[cxxxiv]
      Por kjo gjë ishte në kundërshtim me Deklaratën e të Drejtave të Qytetarit, të shpallur nga Këshilli antifashist Nacionalçlirimtar në Berat, dhe që konsiderohej si ligji fillestar kushtetues i regjimit të ri. Por Hoxhës aq i bënte për ligjin. Me fjalët e mësipërme ai kërkonte të fitonte simpatinë e minoritetit grek në Dropull, duke u paraqitur si mbrojtës i tyre. Ai donte ta shndërronte minoritetin grek në një bazë të fuqisë personale.
      Reforma agrare e vitit 1945 ishte një realitet propagandistik. Në 25 nëntor 1945, një javë para zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, Hoxha shkoi në katundin Gore të Lushnjës për t’ u ndarë fshatarëve tapitë e para të reformës agrare. Emri i katundit duket domethënës: Gore quhet femra e qenit. Në Gore po ndaheshin vërtet nga ato 3.70% të tokave të latifondistëve, por në pjesën më të madhe të Shqipërisë, nuk dukej asfare e besueshme ajo që ulërinte Hoxha si gore, në Gore:
       Çelet një faqe e re, e lumtur dhe e shkëlqyer.[cxxxv]
      Regjimi i ri nuk mundi të siguronte mbështetjen e fshatarësisë me anë të reformës agrare. Në vjeshtën e vitit 1945, regjimi i ri, pasi e kishte çuar vendin në katastrofë humanitare me vënien e ekonomisë nën kontrollin shtetëror dhe posaçërisht shkatërrimin e tregtisë, bëri një hap prapa, sigurisht me udhëzimin e jugosllavëve. Në tetor 1945, Hoxha tha në raportin që mbajti në Plenumin IV të KQ të PKSH:
       Në këtë proces zhvillimi, sektori i shtetit duhet të forcohet dita-ditës. Por sektori i shtetit nuk mund të mëkëmbet e të forcohet në konditat që jemi sot, po nuk u aktivizua edhe kapitali privat, edhe industritë e vogla private, pa u aktivizuar prodhimi dhe tregtia. Sektori i shtetit do të forcohet në konkurencë me sektorin privat. Në fazën e parë të rindërtimit ne duhet të ndërtojmë e të krijojmë në lëmin e ekonomisë gjithë ato vlera që na shkatërroi lufta dhe të arrijmë në një kohë të shkurtër gjendjen e paraluftës. Për t’ ia arritur kësaj, ne duhet të krijojmë besimin te të gjithë ata tregtarë ose industrialistë, të vegjël apo të mëdhenjtë, që të rifillojnë punën në kondita të reja, të hedhin kapitalet e tyre në punë, duke u siguruar atyre një fitim të arsyeshëm dhe duke i ndaluar të bëjnë spekulime. Për shumë punime ose ndërmarrje, thekson ai, ne jemi të dobët në kuadro teknikë dhe organizatorë; kurse privati ka një eksperiencë të cilën duhet ta vërë në shërbim.[cxxxvi]
      Por tashmë regjimi i ri u kishte marrë kapitalistëve shqiptarë, tregtarëve dhe proudhuesve, me përjashtim të atyre të vegjël, kapitalin, automjetet, si dhe një pjesë e madhe e rezervës së mallrave dhe të lëndës së parë. Ata duhet të fillonin praktikisht nga niveli zero, gjë që edhe në rrethana shumë më të favorshme se ato që kishte krijuar regjimi i ri, do të ishte shumë e vështirë.
      Në këto rrethana duhej pritur që regjimi i ri të pësonte një humbje të rëndë në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese që do të mbaheshin në 2 dhjetor 1945. Kështu do të kishte ndodhur sikur në vend të mbaheshin vërtet zgjedhje, por në fakt me ligjin zgjedhor që bëri regjimi në vend do të mbaheshin votime por jo zgjedhje. Sipas ligjit zgjedhor, i vetmi subjekt zgjedhor do të ishte Fronti Demokratik, për të cilin më pas vetë Hoxha do të thoshte se ishte partia komuniste e kamufluar. Ligji zgjedhor privilegjonte nominalisht një subjekt pjesëmarrës në zgjedhje, Frontin Demokratik. Për mospjesëmarrjen e partive të tjera në zgjedhje, regjimi justifikohej me atë se në vend nuk qenë krijuar të tilla, por përgjegjës për këtë ishte vetë regjimi me klimën politike të frikës që kishte krijuar në vend. Nuk kishte ende një ligj për procedurën e krijimit të partive- një i tillë do të dilte ironikisht në dhjetor 1946, një vit pas zgjedhjeve dhe në kohën kur të gjithë pjesëtarët e e grupeve që kishin incuar krijimin e partive të ndryshme në vend, tashmë qenë arrestuar dhe dënuar. Në 5 nëntor 1945 do të shpallej lista e kandidatëve të Frontit Demokratik për zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese. Në krye të listës ishte emri i Hoxhës. Kjo ishte lista e vetme që u paraqitej zgjedhësve, ose më saktë votuesve. Veç këtyre kandidatëve në zgjedhje do të merrnin pjesë dhe fare pak kandidatë të pavarur, të cilët nuk kishin asnjë mundësi të fitonin.
      Në fillim të fushatës zgjedhore, tre fuqitë e mëdha aleate të koalicionit antifashist, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe SHBA, në një veprim të përbashkët do të prononcoheshin ndaj kërkesës për njohje të regjimit të ri, të bërë që në janar. Në 10 nëntor 1945 Hoxha mori një notë nga qeveria britanike ku kjo shprehte vullnetin për të njohur qeverinë shqiptare dhe për të shkëmbyer përfaqësues diplomatikë, por këto i kushtëzonte me atë që qeveria shqiptare të garantonte se zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese do të qenë të lira dhe të fshehta, se shtypi do të ishte i lirë dhe se do të lejoheshin korrespondentë të huaj që të vinin në Shqipëri për të ndjekur zgjedhjet. Hoxha iu përgjigj notës britanike të nesërmen, në 11 nëntor:
       Ligjet tona demokratike u kanë siguruar njerëzve të Shqipërisë të gjitha të drejtat dhe liritë që mund të gëzojë njeriu në vendin më demokratik dhe qeveria jonë është garancia më e sigurt për t’ i mbrojtur dhe për t’ i vënë në zbatim këto liri e të drejta. Ligji për zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese, ligj nga më demokratikët, ka parashikuar dhe u ka siguruar të gjitha të drejtat individëve ose grupeve jofashiste dhe qeveria jonë duke u mbështetur dhe duke i zbatuar përpikërisht këto ligje, u dha mundësinë të gjithëve, individë ose grup, të marrin pjesë direkt në këtë eveniment historik të vendit tonë duke zgjedhur dhe duke u zgjedhur… Liria e shtypit ka qenë dhe do të jetë një nga parimet themelore të demokracisë sonë.[cxxxvii]
      Përgjigjia e Hoxhës është një cinizëm i llogaritur. Mënyra se si qenë organizuar zgjedhjet ishte demokratike nga pikëpamja leniniste sovjetike e demokracisë, por jo ajo perëndimore, që kishte parasysh qeveria britanike në notën e saj. Nota britanike ishte më tepër një taktikë për të shtyrë njohjen. Britania e Madhe duket se ishte nismëtare e veprimit të përbashkët të treshes së Të Mëdhenjve, se Bashkimi Sovjetik nuk kishte shprehur deri atëherë ndonjë afeksion apo interes ndaj Shqipërisë. Por kur vihej si kriter për njohjen e qeverisë mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve, Bashkimi Sovjetik nuk mund të ishte i një mendjeje me Britaninë e Madhe, se për të mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri qe mëse demokratike. Prandaj në 10 nëntor 1945 Bashkimi Sovjetik e njohu qeverinë e Hoxhës dhe shpalli vendimin për të lidhur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Hoxha iu përgjigj Moskës me një telegram ku shpreh mirënjohjen dhe falenderimin po në 10 nëntor 1945.[cxxxviii]
      Por Bashkimi Sovjetik nuk i dha asnjë nuancë ideologjike njohjes së regjimit të ri shqiptar dhe as lejoi që qeveria e Hoxhës të bënte diçka të tillë në adresë të Moskës. Hoxha në letrën drejtuar kryetarit të Misionit Ushtarak Sovjetik në Shqipëri, Kolonelit Sokolov, ku e falenderon për njoftimin mbi njohjen e qeverisë shqiptare dhe lidhjen e marrëdhënieve diplomatike, i drejtohet me: «Zoti kolonel». Gjithashtu, në këtë letër Hoxha e quan Stalinin «Shkëlqesë».[cxxxix]
      Në kuadrër të veprimit të përbashkët të Tre të Mëdhenjve ndaj Shqipërisë, dy ditë më vonë, në 12 nëntor 1945. shefi i Misionit Amerikan në Tiranë, H. T. Fultz, i paraqiti kryeministrit Hoxha notën e qeverisë amerikane të datës 11 nëntor, ku bëhej e ditur se SHBA do të njihnin qeverinë shqiptare dhe do të lidhnin marrëdhënie demokratike, me kusht që në vend të mbaheshin zgjedhje të lira, të garantohej liria e shtypit dhe që qeveria shqiptare të njihte marrëveshjet e lidhura mes dy vendeve para Luftës së Dytë Botërore. Hoxha i përgjigjet të dërguarit amerikan pas pesë ditësh, në 17 nëntor 1945, dhe vetëm për pikën e fundit:
       Ju kërkojmë të na dërgoni kopjet e instrumenteve të këtyre traktateve ose marrëveshjeve për të shikuar brendinë e tyre, meqënëse shumica e Arkivës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë është djegur ose grabitur nga okupatorët. Por ne shpresojmë se kjo nuk do të sjellë asnjë vonesë në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, kështu që qeveria jonë të marrë në shqyrtim të gjitha marrëveshjet që mund të ekzistojnë në mes dy vendeve tona mike.[cxl]
      Por e vërteta ishte se arkiva nuk qe djegur. Hoxha, i instruktuar nga jugosllavët, kërkonte të fitonte kohë. Gjithsesi, regjimi i ri nuk dukej i interesuar seriozisht për të pasur marrëdhënie të tjera, veç njohjes formale, me SHBA dhe Britaninë e Madhe, dhe njohjen prej tyre e donte veç për interesin e sigurisë së vet. Pjesa më e madhe e popullit shqiptar të cilët vuanin pasojat e sundimit të regjimit të ri, i kishin varur shpresat tek aleatët perëndimorë për ta ndryshuar regjimin në Shqipëri, ose e pakta për ta detyruar regjimin e ri të ndryshonte kursin e tij. Kjo shumësi e shqiptarëve ishte elokuente me heshtjen e saj. Hoxha tha në mesazhin drejtuar popullit shqiptar me rastin e 33-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, në 28 nëntor 1945 do të thoshte:
      “Më 28 nëntor, në kohën më të zezë që kaloi vendi ynë nën thundrën e okupatorit, shpërthenin demonstratat e popullit, në qytete dhe në fshatra gjakoseshin patriotë shqiptarë me agjentët e OVRA-s dhe të Gestapos”.[cxli]
      Në kohën e pushtimit fashist mund të bëheshin demonstrata, çka tregonte gjithsesi  shkallën e tolerancës e regjimit fashist ndaj kundërshtarëve të tij, ndërsa tashmë që në pushtet ishte regjimi i ri, i shpallur antifashist, ata të cilët qenë të pakënaqur me regjimin nuk merrnin guximin të bënin demonstrata. Mungesa e demonstratave tregonte se regjimi i Hoxhës qe absolutisht intolerant me ata që protestonin ndaj tij, dhe protestat në rrugë qenë baraz me vdekjen e menjëherëshme.
      Me përfundimin e zgjedhjeve u shpall se në to kishin marrë pjesë 89.81% e zgjedhësve dhe nga këta 93.16% kishin votuar për Frontin Demokratik. Kështu, supozohej që regjimi i ri të kishte mbështetjen e 80% të shqiptarëve. Kjo nuk mund të ishte e vërtetë. Deri më tash asnjë shtresë konsistente e popullsisë nuk kishte parë ndonjë të mirë nga regjimi i ri, madje pjesa më e madhe e popullsisë së vendit kishin pësuar të këqija. Se cili ishte rezultati i vërtetë i zgjedhjeve kjo nuk do të merret vesh kurrë me saktësi. Por moslejimi nga ana e regjimit i partive të tjera që të merrnin pjesë në zgjedhje tregonte se regjimi ishte i vetëdijshëm se nuk e kishte mbështetjen e shumësisë së popullisë dhe se në një garë relativisht të drejtë zgjedhore regjimi do të dilte i humbur.
      Pas zgjedhjeve, në 20 dhjetor 1945, Hoxha, duke pretenduar se tashmë regjimi kishte legjitimitet, iu drejtua Presidentit të Komisionit përgatitor të Kombeve të Bashkuara, E. Stetinius, me një kërkesë për pranimin e Shqipërisë në OKB. Por aleatët perëndimorë nuk konsideruan se zgjedhjet e dhjetorit i dhanë legjitimitet regjimit të ri. Duket se kjo aq i bënte regjimit të ri, i cili vazhdoi me zbatimin e agjendës së ndërtimit të shtetit të «demokracisë popullore», sipas modelit sovjetik. Në 11 janar 1946, Asambleja Kushtetuese, të nesërmen e ditës së fillimit të saj, do të shpallte Republikën Popullore të Shqipërisë. Termi «republikë popullore» ishte qartësisht një tautologji, një derivat i termit «demokraci popullore». Të nesërmen e shpalljes së republikës popullore, Asambleja Kushtetuese do të krijonte Presidiumin e saj, i cili do të kishte atributet e kryetarit kolektiv të shtetit. Emri «Presidium“ ishte një kopjim sovjetik, nga institucioni analog, Presidiumi i Sovjetit Suprem.
      Zgjedhja e Omer Nishanit si kryetar i Presidiumit, çka do të thoshte rizgjedhje për të, këtë herë e shqetësoi Hoxhën në vend që ta qetësonte, se ajo ishte shenjë që paralajmëronte eliminimin e tij (Hoxhës). Hoxha kishte pritur që Xoxe ta pengonte zgjedhjen e Nishanit të cilin e shikonte si njeriun e Hoxhës. Xoxe nuk e kishte penguar dot zgjedhjen e Nishanit në Përmet, por tashmë Xoxe ishte fuqizuar mjaft dhe mund ta ndalonte rizgjedhjen e Nishanit po të donte. Mjaft që Xoxe të kishte hapur gojën dhe Nishani nuk do të rizgjidhej. Hoxha nuk do të mund të bënte asgjë, se qenia e dy gjirokastritëve nga një lagje në krye të regjimit, ishte një gjë që nuk mund të mbrohej. E megjithatë Xoxe heshti dhe Nishani u rizgjodh, qartësisht me mbështetjen e jugosllavëve. Hoxha e kuptonte se tashmë Xoxe mendonte se mund ta përdorte Nishanin, pasi ta eliminonte Hoxhën. Xoxes i konvenonte që Nishani të ishte në postin e tij, në kohën që Xoxe do të bëhej kryeministër dhe shef i partisë, se duke qenë Xoxe i krishterë ortodoks dhe Nishani musliman[cxlii], ky ishte një kombinim mjaft i përshtatshëm politik. Pastaj Xoxes i konvenonte që dënimin me vdekje të Hoxhës, që do të jepej në gjyqin ndaj tij, ta firmonte bashkëqytetari i tij Omer Nishani, si kryetar i Presidiumit. Xoxe nuk e kishte të vështirë që, duke përdorur pozitën e tij si drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (paraardhëse e Sigurimit të Shtetit) ta përpunonte dhe ta bënte vegël të tij Nishanin, i cili kishte qenë anëtar i Këshillit të Shtetit në kohën e pushtimit fashist.
      Në Presidiumin e Asamblesë Kushtetuese prej 13 vetësh, do të ishte përsëri anëtar Hoxha, por Xoxe do të ishte nënpresident. Anëtarë të Presidiumit do të qenë katër nga shtatë anëtarët e Byrosë Politike. Presidiumi i Asamblesë Kushtetuese do të shndërrohej në Presidium të Kuvendit Popullor kur Asambleja Kushtetuese të shndërrohej në Kuvend Popullor, në mars të atij viti, duke ruajtur anëtarët e tij vendet e tyre.         
      Aleatët perëndimorë, duke parë këtë plagjiaturë sovjetike të regjimit të Hoxhës, e perceptuan atë si një satelit sovjetik që zbatonte një agjendë të përpunuar në Moskë, çka nuk ishte asfare e vërtetë. Autori i kësaj teorie ishte vetë i famshmi George Kennan. Në shkurt 1946 i ngarkuari me punë i SHBA në Moskë, Kennan, pasi lexon raportin e ashpër të shefit të Misionit Amerikan në Tiranë, Jacobs, i çoi Departamentit të Shtetit një opinion për Shqipërinë. Kennan propozonte se SHBA duhet të tregoheshin të ashpër me regjimin e ri në Shqipëri, duke arritur deri tek tërheqja e misionit të tyre nga Tirana. Kennan thotë:
       Këto sugjerime mund të ngjajnë si të skajshme, por unë e siguroj Departamentin e Shtetit, se nuk mund të gjesh njerëz më aktivë e të ndjeshëm, kur është fjala për veprime se rusët që punojnë në prapaskenë në Shqipëri.[cxliii]
      Kjo ishte pikërisht ajo që Hoxha ëndrronte të ndodhte! Kur Kennan shkruante kështu, ai nuk shpjegonte se përse Bashkimi Sovjetik që bëri një traktat me Jugosllavinë, që në prill 1945, nuk e kishte bërë dhe të njëjtën gjë me Shqipërinë, në rast se Stalini atëherë donte ta përfshinte Shqipërinë në sferën sovjetike. Teoria e Kennan nisej nga premisa se Jugosllavia ishte satelit i Bashkimit Sovjetik dhe Shqipëria që ishte satelit i Jugosllavisë, për rrjedhim ishte satelit i Bashkimit Sovjetik. Në fakt, teoria e Kenan për Shqipërinë ishte rezultat i fjalimit të famshëm të Stalinit në zgjedhjet për Sovjetin Suprem, në shkurt 1946, që u bë shkak që Kennan të shkruante të famshmin «Telegram i gjatë». Fjalimi i Stalinit u interpretua në Perëndim si shpallje e armiqësisë ndaj Perëndimit dhe në kuadrin e saj të një fushate të ekspansionit global sovjetik dhe shkaktoi alarm të madh. Shprehja më elokuente e reagimit perëndimor ishte telegrami i gjatë i Kennan, ku ai zhvilloi teorinë e ekspansionit të pakufizuar sovjetik, që duhej të përballej me frenimin në shkallë globale nga ana e SHBA.
      Por Kennan nuk e shpjegoi se si ishte e mundur që ndodhi transformimi i Stalinit, i cili në vitet njëzet kishte kundërshtuar me urtësi politikën aventuriere ekspansioniste të Trockit, të llojit që Kennan i atribuonte Stalinit tash. E pra, si ishte e mundur që tash, njëzet vjet më vonë, kur Bashkimi Sovjetik kishte dalë nga një luftë tejet shkatërrimtare për të, dhe kur kishte përballë një fuqi si SHBA, i njëjti Stalin, të cilin ato që eksperiencoi vitet e fundit duhet ta kishin bërë akoma më të kujdesshëm, do të guxonte të adoptonte politikën e vjetër të Trockit. Kennan, me njohjen që kishte për realitetin sovjetik, duhet ta kishte kuptuar se Stalini e kishte llogaritur retorikën e tij për t’ i krijuar popullit sovjetike dhe vendeve satelite iluzionin se Bashkimi Sovjetik ishte ende shumë i fortë, pavarësisht shkatërrimeve që kishte pasur nga lufta. Kennan sigurisht që e kuptonte këtë, por ai shkruante për llogari të kompleksit ushtarak-industrial amerikan. Doktrina e përmbajtjes ishte ajo çka i duhej kompleksit ushtarak-industrial, për të rritur shpenzimet për armatimet në një periudhë afatgjatë, pavarësisht se kishte ose jo luftra. Rasti i Shqipërisë e përgënjeshtronte më së mirë ambicjen e pakufizuar ekspansioniste që Kennan i atribuonte Stalinit. Ajo që u tha Stalini dy funksionarëve të lartë jugosllavë në janar 1945, se nuk ia vlente që, për Shqipërinë të luftohej me Britaninë e Madhe. Stalini me këtë donte të thoshte, së pari se Bashkimi Sovjetik nuk do ta mbështeste Jugosllavinë nëse kjo do të hynte në luftë me Britaninë e Madhe për hir të Shqipërisë. Por ajo çka duhej të nënkuptonin jugosllavët këtu ishte se Stalini mendonte se me Britaninë e Madhe nuk ia vlente të luftoje as për Jugosllavinë.


7.
Stalinisti Sejfulla Malëshova dhe antistalinisti Enver Hoxha

      Tito, gjatë vizitës së tij në Moskë në prill 1945, i paraqiti Stalinit projektin e tij ambicioz për ndërtimin e socializmit në Jugosllavi, sipas modelit të Bashkimit Sovjetik të industrializimit të përshpejtuar dhe të bujqësisë së kolektivizuar. Kjo gjë mund të bëhej vetëm me ndihma të mëdha ekonomike nga Bashkimi Sovjetik, të cilat Stalini nuk mund t’ ia jepte edhe sikur të donte, se ekonomia sovjetike nuk mund t’ u përgjigjej ambicjeve të udhëheqjes jugosllave. Kjo do të thoshte para së gjithash që në Jugosllavi të shtyhej ai që në terminologjinë komuniste quhej «ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit», domethënë shtetëzimi i ekonomisë, në fillim në qytet e pastaj në fshat. Por për Titon kjo krijonte një rrezik të madh për vetë ekzistencën e regjimit të tij. Ekonomia jugosllave para luftës dhe gjatë saj kishte qenë e orientuar nga vendet perëndimore nga ku tregu jugosllav furnizohej me mallra industriale. Tashmë që dukej qartë se Bashkimi Sovjetik nuk qe në gjendje të përmbushte nevojat e Jugosllavisë, Titoja e shikonte veten të detyruar që të vazhdonte të bënte tregti me Perëndimin. Por regjimit  të ri jugosllav nuk i pëlqente që tregtarët privatë të bënin tregti me vendet perëndimore. E shumta që mund të bënte regjimi ishte që këtë tregti ta zhvillonin ndërmarrjet shtetërore.
      Tito, ashtu si Stalini në fund të viteve njëzet, e shikonte çështjen e ndërtimit të socializmit në Jugosllavi, si në një raport organik me ekzistencën e regjimit të tij. Regjimi titoist, ashtu si ai stalinist, nuk mund të mbijetonte gjatë në një vend ku pjesa më e madhe e ekonomisë ishte private. Që regjimi të ndihej i sigurt, duhej që balanca në ekonomi të anonte nga sektori shtetëror. Ajo që në gjuhën ideologjike të doktrinës komuniste quhej «ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit», në fakt mund të konsiderohej fare mirë si: ndërtimi i bazës së regjimit të ri. Prandaj, udhëheqja jugosllave, në fund të vitit 1945, në kundërshtim me sugjerimet e sovjetikëve, vendosi  që të përshpejtonte ndërtimin e bazës ekonomike të socializmit, çka do të thotë shtetëzimin e ekonomisë, më së pari në qytet.
      Sigurisht që kjo politikë jugosllave do të reflektohej edhe në Shqipëri. Sejfulla Malëshova e kundërshtonte politikën e re jugosllave, nga pikëpamja sovjetike, dhe për këtë iu vu stigma properëndimor, gjë që nuk ishte e drejtë. Malëshova mbahej si ideologu i partisë. Atij veç postit të ministrit të Kulturës i patën dhënë edhe postin e  zëvendësministrit të financave për të garantuar vijën në ekonomi. Malëshova në fakt zbatonte vijën sovjetike për të mos kaluar drejtpërdrejt në socializëm, dhe për këtë u akuzua për oportunizëm në Byronë Politike. Në Konkluzionet dhe vendimet e Plenumit V të Komitetit Qendror, në shkurt 1946, ku u eliminua Malëshova, thuhet:
       Plenumi konstatoi se në Byronë Politike ka pas kundërshtime që janë bërë dita ditës më të thella, sikundër shpjegohet dhe në konkluzionet e mbledhjes së Byrosë Politike datë 6-11 dhjetor 1945. Plenumi konstatoi se ai që i ka dhënë tonin kësaj vije, ai që ka formuluar dhe mbrojtur deri në fund tendencat oportuniste është Sejfulla Malëshova, i cili edhe në mbledhjen e plenumit çfaqi rezervat e tij veçanërisht për sa i përket politikës ekonomike dhe Frontit.[cxliv]
      Ironia është se mendimet e Sejfulla Malëshovës qenë të njëjta me ato që Stalini do t’ ia shfaqte Hoxhës në takimin e tyre në Moskë, në vitin 1949. Sipas procesverbalit të bisedës së zhvilluar mes Stalinit dhe Hoxhës, në 23 mars 1949:
       Shoku Stalin pyet nëse ekziston borgjezia tregtare kombëtare në Shqipëri.
Hoxha përgjigjet se në Shqipëri ekziston borgjezia tregtare, por ajo nuk zotëron as fabrika as shitore, as shtëpi. Të gjitha këto i janë marrë.
Shoku Stalin thotë se kjo nuk është gjë e mirë. Borgjezia kombëtare mund të ndihmonte në prodhimin e disa mallrave dhe të bënte edhe njëfarë tregtie, derisa të forcohet shteti, sidomos kur në radhët e kësaj borgjezie tregtare ka elementë që e çmojnë shumë lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Elementë të tillë atdhetarë në radhët e borgjezisë duhen shfrytëzuar, nuk duhen larguar…Në territorin e Shqipërisë nuk patën shkelur as trupa jugosllave, as trupa sovjetike. Prandaj dikush nga borgjezia kombëtare ka mbetur, në qoftë se shokët shqiptarë nuk i kanë shkuar të gjithë në satër. Nuk duhet larguar një borgjezi e tillë e cila është për pavarësinë e vendit dhe mund të të vijë edhe në ndihmë.[cxlv]
      Kështu, Hoxha e mësoi pas katër vjetësh se në debatin e zhvilluar në elitën e regjimit gjatë dimrit 1945-46, ai dhe të tjerët kishin qenë antistalinistë, ndërsa stalinist kishte qenë Sejfulla Malëshova! Por në debatin në udhëheqjen e regjimit gjatë dimrit 1945-46, argumentet ideologjike qenë vetëm ekspedientë për të larë llogaritë personale në luftën për pushtet. Hoxha do të shkruante në kujtimet për konfliktin në Byronë Politike në fund të vitit 1945:
       Shpërthyen përsëri grindjet, veç këtë rradhë tepër të acaruara dhe me akuza reciproke midis Koçit e Sejfullait. Bedriu e Tuku, si zakonisht, të lëkundur e më shumë hiqeshin si asnjëanës, kurse Nako Spiru dëgjonte sy e veshë dhe përpiqej të gjente pozicionin më të volitshëm që duhej të mbante. Balanca anoi nga Koçi Xoxe. Sejfulla Malëshova u vu papritur në qendër të goditjes. Për çudinë time, në një numër mbledhjesh e takimesh që bëmë në atë periudhë Koçi, Nakoja e Pandi Kristoja iu derdhën Sejfulla Malëshovës me të gjitha forcat.[cxlvi]
      Sejfulla Malëshova, me me protagonizmin e tij dhe me ankesat tek sovjetikët, me të cilët komunikonte lirisht për shkak se e zotëronte gjuhën ruse, po bëhej i bezdisshëm jo vetëm për politbyroistët, por edhe për jugosllavët. Goditja ndaj Sejfulla Malëshovës ishte në fakt një goditje e Xoxes ndaj Hoxhës, një goditje neutralizuese ndaj përpjekjeve të këtij të fundit për revansh. Hoxha nuk do të kishte qenë Hoxha sikur fill pas plenumit të Beratit, ku ai u ballafaqua me një bllok kundërshtarësh, të mos fillonte përpjekjet për ta çarë atë. Njeriu të cilin zgjodhi Hoxha për t’ iu afruar ishte Sejfulla Malëshova. Hoxha e dinte se Sejfulla Malëshova, me zgjuarsinë e tij, nuk mund të mos e kishte perceptuar se në Berat ishte shfaqur një tendencë e të krishterëve, më saktë e ortodoksëve, për të marrë kontrollin e partisë dhe me këtë edhe të vendit. Në Berat qenë përjashtuar nga Byroja Politike dy muslimanë: Liri Gega dhe Ramadan Çitaku. Tito qartësisht i kishte  instruktuar të dërguarit e vet në Tiranë, Stoiniç dhe Dizdareviç, që të vepronin në mënyrë që të ulej pesha e muslimanëve dhe të rritej pesha e kristianëve në lidershipin e PKSH dhe posaçërisht në Byronë Politike. Në Byronë Politike me shtatë anëtarë të dalë nga Plenumi i Beratit kishte katër të krishterë, nga të cilët tre ortodoksë (Koçi Xoxe, Nako Spiru, Pandi Kristo). Hoxha e dinte tash se treshja ortodokse e Byrosë Politike Xoxe-Spiru-Pandi Kristo, që kishte bërë aleancë në Berat, nuk e afronte Sejfulla Malëshovën. Kjo do të thoshte se Sejfulla Malëshova kishte shumë gjasë që të ishte shënjestra e radhës e klanit ortodoks të Byrosë Politike.
      Hoxhës i interesonte afrimi me Sejfulla Malëshovën edhe për shkak të lidhjes që ky kishte me Bashkimin Sovjetik. Hoxha kërkonte që ta përdorte Sejfulla Malëshovën në njëfarë mënyre si lobistin e vet në Moskë. Sejfulla Malëshova, nga ana e tij, e shikonte Hoxhën si të mënjanuar dhe kërkonte që ta përdorte atë për të zënë vendin ende vakant të sekretarit të përgjithshëm, duke i premtuar mbrojtje më pas. Hoxha, për ta lidhur më tepër pas vetes Sejfulla Malëshovën kërkoi që të bëjë krushqi me të, duke e fejuar me motrën e vet, Sanije (Sano), të cilën e quanin me ironi Princesha Sanije, sipas emrit të motrës së Mbretit Zog. Sejfulla Malëshova, si njeri dinak dhe i regjur që ishte, mendonte se, derisa martesa me motrën e Hoxhën do ta dëmtonte karrierën e tij të ardhshme, pasi Hoxhën e quante të djegur, fejesa nuk do t’ i sillte asnjë dëm, sa kohë që nuk kishte bërë hapin vendimtar. Por edhe ky afrim mes Hoxhës dhe Sejfulla Malëshovës ishte i mjaftueshëm që Xoxe dhe Spiru të alarmoheshin dhe ta shënjestronin Sejfulla Malëshovën, çka indirekt ishte një sulm ndaj Hoxhës. Edhe jugosllavët qenë të interesuar që të eliminohej Sejfulla Malëshovën se ai qe i papëlqyer për ta për shkak të lidhjeve me Bashkimin Sovjetik, ku kishte jetuar për një kohë të gjatë. Jugosllavët nuk parapëlqenin që në Shqipëri të kishin të bënin me njerëz që kishin lidhje me Bashkimin Sovjetik, jashtë kontrollit të tyre. Që eliminimi i Sejfulla Malëshovës është bërë me kërkesën e jugosllavëve kjo kuptohet nga ato që thotë Xoxe në letrën që u çon nga burgu, në prill 1949, Hoxhës dhe ambasadorit sovjetik Çuvahin, ku shkruan:
       Tendencat e Sejfullait për t’ u popullarizuar, për të shkuar në Parti, Rini, fjalimet e Sejfullait në Front dhe mbi rolin e kulturës e shqetësonin Nakon dhe ai më theshte mua, Pandit edhe ne shikonim në këto të Sejfullait dëshirën për të dalë. Pastaj vinte dembellëku i Sejfullait, gazeta, kritikat që bënin sovjetikët për zotimet dhe jugosllavët, pastaj vija e tij në ekonomi ishin ato që ne të tre, Enveri, unë e Nakoja, të ndihmuar nga vërejtjet që bënin miqtë tanë mbi Sejfullain, kemi shtruar çështjen në Byro e në Plenumin e 5-të.[cxlvii]
      Me «miqtë tanë» Xoxe qartësisht kupton jugosllavët. Hoxha, i cili deri në dhjetor 1945 kishte patur pikëpamjet e Sejfulla Malëshovës, e braktisi atë dhe në raportin e vet në Plenumin V, në shkurt 1946, doli me një pikëpamje krejt të ndryshme nga ajo që kishte  shfaqur në tetor të vitit të kaluar, sa i përkiste politikës ekonomike. Hoxha bëri të ditur se do të përshpejtohej zbatimi i agjendës konspirative të regjimit për transformim ekonomik komunist në vend. Ai tha:
       Ekzistenca e shtetit tonë dhe e ardhmja e tij janë të lidhura ngushtë me ekzistencën e forcimin e sektorit të shtetit dhe atë të kooperativave. Forcimi i sektorit të shtetit nuk bëhet vetëm me shtetëzimin e minierave, me shtetëzimin e bankave, me kontrollin mbi sektorin privat dhe me monopolin e tregtisë së jashtme, por me organizimin e gjithë këtyre sektorëve dhe me krijimin e një industrie të rëndë shtetërore, e cila të jetë ndihmësja kryesore e ngritjes së industrisë së lehtë dhe e gjithë zhvillimit ekonomik të vendit tonë.[cxlviii]
      Derisa Hoxha në plenumin e Beratit qe kritikuar për sektarizëm, pra për ekstremizëm, atëherë mund të nxirret përfundimi se ai këto fjalë nuk do të guxonte t’ i thoshte përveçse me porosinë e jugosllavëve. Hoxha gjithashtu tha në raportin e vet:
       Kapitalit privat duhet t’ i presim të gjitha mundësitë që të zhvillohet dhe të forcohet. Çdo lëshim në këtë drejtim do të thotë të lësh borgjezinë të forcohet, të lësh të krijohet një klasë e re borgjeze industriale që të pengojë shkuarjen tonë drejt socializmit.[cxlix]
      Kjo ishte në kundërshtim të hapët me ligjet me karakter kushtetues që kishte nxjerrë vetë regjimi. Që prej ardhjes së regjimit në pushtet sipërmarrja private në ekonomi qe vënë rreptësisht nën kontrollin e shtetit, në atë mënyrë që mund të quhej shtetëzim në praktikë. Tash fjala ishte që të bëhej edhe formalisht shtetëzimi i sektorit privat në ekonomi, në industri dhe tregtinë me shumicë. Regjimi komunist funksiononte me ato që i quante parulla, të cilat qenë moto për t’ i vënë në lëvizje njerëzit. Parulla që hodhi Hoxha në shkurt 1946 ishte:
       Çdo gjë për forcimin e sektorit të shtetit, luftë të pamëshirshme kapitalit privat.[cl]
      Termi i zgjedhur është mjaft shprehës: «luftë e pamëshirshme»! Të gjitha këto nuk u bënë publike, por qarkulluan si udhëzime për burokracinë partiake. Komiteti Qendror i PKSH, ky grup konspirativ, pa asnjë mandat popullor, merrte kështu vendime fatale afatgjata për kursin në të cilin do të shkonte vendi. Në konkluzionet dhe vendimet e Plenumit V të Komitetit Qendror të PKSH, mbajtur në shkurt 1946, thuhet:
      «Ne kemi në vendin tonë një diktaturë demokratike revolucionare të punëtorëve dhe të fshatarëve me Partinë Komuniste në krye. Çështja është tashti që të kalojë në duart e masave punonjëse baza e pushtetit, ekonomia».[cli]
      Kishte filluar kështu epoka e stalinizmit në Shqipëri kundër dëshirës së Stalinit. Ky stalinizëm shqiptar ishte në fakt titoizëm, i cili në atë kohë paraqitej si ultrastalinizëm, ose surrogat-stalinizëm, derisa synonte të zbatonte modelin stalinist të industrializimit të përshpejtuar dhe bujqësisë së kolektivizuar në një vend dukshëm më të prapambetur dhe më me pak burime se Bashkimi Sovjetik, çka ishte Jugosllavia. Sa për Shqipërinë, e cila ishte edhe më e prapambetur se Jugosllavia, ajo ishte quintia essentia e kësaj marrëzie.
      Hoxha vërtet u bashkua me Xoxen dhe Spirun në kritikën ndaj Sejfulla Malëshovës, por ai bëri edhe diçka më tepër, duke u përpjekur që goditjen e Sejfulla Malëshovës ta bëjë pikënisjen e rishikimit të Plenumit të Beratit, përfundimet e të cilit për Hoxhën qenë «Shpata e Damokleut» që i rrinte mbi krye kërcënueshëm. Prandaj Hoxha, në platformën që iu paraqit për diskutim Komitetit Qendror nga Byroja Politike lidhur me gabimet e Sejfulla Malëshovës, do të thoshte si mendim personal të vetin, përveç atyre që shprehu bashkarisht me pjesën tjetër të Byrosë Politike:
       Sejfulla Malëshova në Berat (Plenumi II i Beratit) doli përmbi të gjithë. Dënoi gjithë vijën e Partisë, e nxorri sikur Partia nuk kish pasur vijë e, nga ana tjetër, ngriti çështjen e shefit në Parti. Gjithë kjo ishte me qëllim që të dilte ai si njeriu që shtronte vijën e Partisë dhe meqë, përveç sekretarit politik dhe organizativ, duhej të kishte një shef, natyrisht shefi duhej të ishte Sejfulla Malëshova.[clii]
      Por në Plenumin V të Komitetit Qendror, ku u dënua Sejfulla Malëshova, nuk u mor parasysh kritika e Hoxhës ndaj asaj që kishte ndodhur në plenumin e Beratit. Përvec kësaj, Hoxha, në plenumin e shkurtit 1945, Hoxha do t’ u conte edhe një sinjal sovjetikëve, kur tha në raportin e mbajtur në plenum:
       Për ne s’ mund të jenë në një plan Bashkimi Sovjetik me Anglinë dhe me Amerikën. Formula «formalisht» duhet dhe ajo të mos ekzistojë më. Kjo s’ do të thotë aspak se ne do t’ i hapim luftë Anglisë dhe Amerikës, por ne do të mbrojmë hapët dhe pas asnjë ndrojtje politikën e Bashkimit Sovjetik dhe do të luftojmë qëndrimet reaksionare të politikës anglo-amerikane. Pavarësia e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me forcimin e Bashkimit Sovjetik, ai është mbrojtësi dhe përkrahësi ynë i vërtetë.[cliii]
      Deri atëherë kjo politikë diferencimi ishte ndjekur me udhëzimin e jugosllavëve, të cilët në këtë rast përsillnin vërtet një porosi sovjetike. Hoxha nuk e dinte këtë dhe kërkonte që të testonte Moskën dhe t’ i jepte asaj të kuptonte se ai qe për afrimin e Shqipërisë më të. Këto fjalë tregonin se sa pak e kuptonte Hoxha politikën e Stalinit ndaj Shqipërisë. Sipas kësaj politike, për Bashkimin Sovjetik Shqipëria nuk ishte në një plan me vendet satelite sovjetike! Bashkimi Sovjetik nuk kishte bërë një traktat miqësie dhe aleance me Shqipërinë, dhe nuk pranonte që marrëdhëniet mes dy vendeve të zgjeroheshin në rrafshin ideologjik. Hoxha, e mori me një passion prej Tarasi-Herman kursin e ri ekonomik në të cilin e futën jugosllavët, duke menduar se kështu do të bëhej i pëlqyeshëm për Stalinin. Kursi i ri i politikës ekonomike filloi të zbatohet pa vonesë. Hoxha do të thoshte në Kongresin I të PKSH, në nëntor 1948:
       Në prill të 1946 filluan bllokimet dhe shtetëzimet e mallërave që dispononin tregëtarët e mëdhenj… Tregtia grosiste kaloi e gjitha në duart e shtetit.[cliv]
       Me kalimin e tregtisë me shumicë në duart e shtetit, ky i fundit mori përsipër të furnizonte tregtarët e vegjël me të gjitha llojet e mallrave, një sipërmarrje kjo për të cilën shteti shpalli falimentimin pesë muaj më vonë, në shtator 1946, kur në vend u vendos sistemi i triskëtimit për të gjithë llojet e mallrave, që nga ushqimet, tek veshjet etj. Sistemi i triskëtimit, në forma të ndryshme, do të ishte në fuqi sa kohë të ekzistonte regjimi. Kjo çoi në lindjen e tregut të zi, i cili do të ekzistonte sa kohë të ekzistonte regjimi. Në korrik 1946 regjimi bëri atë që mund të quhet si tatimi i jashtëzakonshëm i popullit për utopinë. Kjo ishte reforma monetare, e cila ishte konceptuar si një grabitje e kryer nga shteti ndaj qytetarëve të vet. Monedha e re që do të zëvendësonte frangën e vjetër do të ishte franga e re. Kursi i këmbimit të monedhës së re me të vjetrën u caktua: një frangë e re në këmbim të pesë frangave të vjetra. Ky ishte një pranim i tërthortë zyrtar i inflacionit prej 500% që nga koha që regjimi kishte ardhur në fuqi. Aspekti më grabitës i kësaj mase ishte se u vu dhe një limit shkëmbimi jo më tepër se 5000 franga të vjetra. Pra çdo qytetar mund të merrte jo më shumë se 1000 franga të reja. Po në korrik 1946 regjimi caktoi dhe kursin fiks të këmbimit të monedhës shqiptare me monedhat e huaja, si dhe dhe çmimin e detyruar të shitjes së arit e metaleve të tjera të çmuara. Kështu filloi tregu i zi i arit dhe valutës, që u bë shkak për një valë konfiskimesh të atyre që shkelnin këtë ligj.
      Në fjalorin komunist të gjitha këto quheshin ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit, një term ideologjik ky për shtetëzimin e ekonomisë. Hoxha do të shkruante mbi tre dekada më vonë në librin «Eurokomunizmi është antikomunizëm»për këtë çështje, duke e artikuluar mendimin në stilin stalinian të pyetjeve që u përgjigjej vetë:
       Çlirimi e gjeti Shqipërinë një vend të prapambetur nga pikëpamja ekonomiko-shoqërore e kulturore, kryesisht bujqësor, pothuaj pa industri, me një shkallë shumë të ulët zhvillimi të forcave prodhuese. A përbënte kjo një pengesë për ndërtimin e marrëdhënieve socialiste në prodhim? Sigurisht, bile një pengesë të madhe, por jo të pakapërcyeshme. Partia jonë nuk mund të priste sa të zhvilloheshin në një shkallë të lartë forcat prodhuese, pastaj të fillonte vendosjen e marrëdhënieve socialiste.[clv]
      Këto fjalë janë një herezi e madhe ndaj marksizmit. Marksizmi përcaktonte se marrëdhëniet socialiste në ekonomi, domethënë shtetëzimi i ekonomisë, do të kryhej pasi të qenë zhvilluar forcat prodhuese, domethënë kur të qe zhvilluar industria dhe të qe rritur proletariati. Shqipëria ishte shumë larg kësaj etape të zhvillimit të shoqërisë. Lenini e kishte zgjidhur këtë anomal në Rusi, një vend 75% fshatar, duke e detyruar me forcë shoqërinë ruse të kapërcente etapat, gjë që megjithatë guxoi ta bënte vetëm në qytet, ndërsa sa i përket fshatit, u tërhoq duke bërë NEP-in në 1921. Shqipëria ishte shumë më e prapambetur se Rusia në 1917, e megjithatë edhe në Shqipëri u bë e njëjta gjë si në Rusi. Hoxha në librin «Eurokomunizmi është antikomunizëm» shkruan për këtë çështje:
       Shoqërizimi i mjeteve kryesore të prodhimit u bë në një kohë relativisht të shpejtë dhe u krye me anë të shtetëzimit pa shpërblim. Dy vjet pas Çlirimit, më 1946, pronë shtetërore socialiste ishin banka, industria, minierat, centralet elektrike, transporti, ndërlidhja, tregtia e jashtme, tregtia e brendshme me shumicë, një pjesë e tregtisë me pakicë, stacionet e makinave dhe traktorëve, pyjet, ujërat, nëntoka. Sektori socialist i ekonomisë, pra, zinte pozitat komanduese.[clvi]
      Këtu Hoxha pohon tërthorazi se ekonomia e Shqipërisë në nëntor 1944, nuk ishte në nivelin zero, sic do të pohonte ai më vonë. Sipas atyre që thotë vetë Hoxha, në Shqipëri kishte industri, banka, makina, traktorë, miniera, të cila do t’ i shërbenin regjimit si bazë ekonomike. Sa i përket shtetëzimit të ekonomisë, në një botim zyrtar të historiografisë së regjimit komunist jepen këto shifra kuptimplota:
       Në fund të vitit 1946 mjetet kryesore të prodhimit në qytet qenë shndërruar në pronë shoqërore dhe sektorit shtetëror i përkiste 87% e vëllimit të përgjithshëm industrial. Në fund të vitit 1947 prodhimi i industrisë kapitaliste private ishte zhdukur pothuajse plotësisht.[clvii]
      Se cili do të ishte rezultati imediat i kësaj, do ta pohonte vetë Hoxha, kur përshkruan një vizitë të vetën në Rumani, në vitin 1948, dhe tregon përshtypjen e tij nga një shëtitje në kryeqytetin rumun:   
       Ç’ të shikoje! Dyqanet ishin plot me mallra që binin menjëherë në sy, aq luksoze ishin; çdo dyqan përmbante mallra të tilla të një specialiteti të veçantë, si lëkurë të kunadheve, të dhelprave e lloj-lloj gëzofësh të tjerë luksi; kishte dyqane këpucësh luksoze, porcelain të mrekullueshëm, stofrash, rrobash të gatshme, librari. Të gjitha vitrinat llamburitnin nga luksi e nga reklamat e bujshme. Të dukej jo sikur ishe në një qytet që kishte dalë nga lufta, por sikur ishe në Shans-Elizenë e Parisit para lufte. Dhe të gjitha këto ishin akoma pronë e borgjezisë rumune, ishin në dorën e saj, ajo bënte ligjin në treg. Unë e Çuvahini shikonim vitrinat me kureshtje dhe me habi. Unë, si gjithnjë, mendoja dyqanet e Tiranës bosh, por edhe Çuvahini mendonte për ato të Moskës që, me siguri, nuk ishin plot si këtu. E pyetëm shokun rumun që na shoqëronte:
-Të shtetit janë këto dyqane?
-Jo, këto akoma nuk janë shtetëzuar,- na u përgjigj ai.[clviii]
     Përgjigjia e shoqëruesit rumun duket se përmban një ironi të fshehtë, në sensin që, kur ai thotë se këto dyqane akoma nuk janë shtetëzuar, duket sikur kërkon të thotë se ato akoma nuk janë bërë të mjerueshme si dyqanet e shtetëzuar. Hoxha, vazhdon të tregojë për këtë vizitë në Rumani:
      Duke dëgjuar Dezhin bëja krahasimin midis nesh dhe atyre. Ehu sa larg ishim ne nga ata! Lufta e klasave atje akoma nuk kishte filluar.[clix]
      Në Shqipëri, ku lufta e klasave kishte ecur shumë para dhe kishte boshuar vitrinat e dyqaneve, ndërsa në Rumani ishte e kundërta. Përshtypjet e Hoxhës nga Bukureshti të ngjajnë me ato që Bato Tomashevic kishte pasur në Shqipëri në dhjetor 1944, kur kishte parë se ndryshe nga Malii Zi në Shqipëri nuk kishte krizë ushqimore dhe dyqanet qenë plot me mallra të të gjitha llojeve. Në ndërkohë që në Shqipëri po vdiste klasa e sipërmarrësve dhe tregtarëve privatë, po lindte  burokracia e ekonomisë së planifikuar, e krijuar sipas modelit sovjetik, e cila do të bëhej klasa e re shfrytëzuese në vend. Kursi në të cilin kishte hyrë vendi deri tash kishte bërë që të shfaqeshin të gjitha ato të këqija endemike të modelit të cilat qenë shfaqur në Rusi në periudhën përkatëse. Megjithatë regjimi vazhdonte ta çonte para Shqipërinë në këtë kurs, sikur gjithçka të bëhej nën shtytjen e një force supreme malinje. Shoqëria e planifikuar, ku shteti përcaktonte kuota për gjithçka, për prodhimin, represionin, transportin, me ç’ rast edhe lëvizjen e njerëzve etj., ishte tashmë një realitet që po bëhej dominues. Në gusht 1946 doli ligji mbi planin e përgjithshëm ekonomik të shtetit, sipas të cilit krijoheshin organet e planifikimit sipas modelit sovjetik: Këshilli Ekonomik, ekuivalent i Sovjetit Suprem të Ekonomisë, dhe Komisioni i planit të shtetit, ekuivalent i Gosplanit sovjetik. Në ndërkohë që bëheshin këto qytetari shqiptar po izolohej forcërisht nga bota, përveç asaj komuniste. Jusuf Vrioni, një intelektual i shkolluar në Perëndim, do të thoshte në kujtimet e veta:
       Qysh më 1946-n, njeriu i zakonshëm e kuptonte se ishte me rrezik të madh, po të thoshte një fjalë më tepër, duke qenë me prejardhje borgjeze apo duke pasur lidhjen më të zakonshme me botën e jashtme.[clx]
      Numri i shtetasve shqiptarë që udhëtonin jashtë vendit u kufizua praktikisht në njerëzit e besuar të regjimit që ai i çonte për nevojat e veta. Edhe numri i shtetasve të huaj që vizitonin Shqipërinë, sidomos atyre nga Perëndimi, u kufizua shumë dhe takimet e tyre qenë të inskenuara nga Sigurimi i Shtetit. Regjimi e gjente konvenuese praktikën sovjetike, për të cilën Francois Furet shkruan:
       Ndalimi i daljes nga BRSS-ja ka përbërë që nga formimi i shtetit një dogmë të politikës së brendshme sovjetike, dhe autorizimi për të dalë nga vendi një nga privilegjet më të mëdhenj. Injoranca absolute rreth asaj se çfarë ndodh jashtë vendit është thelbësore për «socializmin në një vend të vetëm».[clxi]
      Me përjashtimin e Sejfulla Malëshovës, tashmë Byroja Politike përbëhej nga gjashtë vetë: Hoxha, Xoxe, Spiru, Pandi Kristo, Jakova, Spahiu. Nga gjashtë anëtarët e Byrosë Politike, katër qenë kristianë dhe dy qenë muslimanë. Nga kristianët, tre qenë ortodoksë dhe një qe katolik. Tashmë ishte bërë e dukshme prirja e jugosllavëve që PKSH të dominohej nga të krishterët, dhe në radhë të parë ortodoksët. Sigurisht që jugosllavët e kuptonin se një vend nuk mund të dominohej nga një minorancë. Prandaj ky raport fetar në Byronë Politike nuk mund të ishte veçse shenjë e planeve jugosllave për ta coptuar shtetin shqiptar dhe ndarë mes republikave jugosllave, duke lënë vetëm një republikë shqiptare të zvogëluar, si pjesë të federatës jugosllave.
      Në ndërkohë, Hoxha po rrethohej në Byronë Politike. Një nga pasojat e goditjes së Sejfulla Malëshovës dukej se ishte dobësimi më tej i pozitës së Hoxhës, i cili si kryeministër ishte drejtpërdrejt përgjegjës për vijën që ndiqte qeveria në ekonomi. Dukej se edhe fundi i Hoxhës ishte i afërm. Plenumi V vendosi që Kongresi I i PKSH të mbahej në 25 maj 1946. Në kongres do të zgjidhej sekretari i përgjithshëm i partisë dhe të gjithë prisnin që në këtë post të zgjidhej Xoxe. Nuk ishte e rastit që goditja e Sejfulla Malëshovës ndodhi në shkurt, një muaj para se Asambleja Kushtetuese, me miratimin prej saj të Kushtetutës, të shndërrohej në Kuvend Popullor, pra në parlament, dhe me këtë të fillonte legjislatura katërvjeçare e rregullt, me ç’ rast do të krijohej qeveria e re, si dhe do të zgjidhej komandanti i përgjithshëm, një post me rëndësi ky për regjimin.
Derisa vazhdonin këto intriga në politikën e lartë të regjimit, Asambleja Kushtetuese miratoi në mars Statutin e Republikës (Kushtetutën). Në Statut nuk ishte fiksuar sundimi i partisë komuniste, siç ndodhte në Bashkimin Sovjetik, por ishte fiksuar Fronti Demokratik si organizatë politike sunduese. Kjo do të thoshte se me ligj kushtetues ishte fiksuar natyra totalitare e regjimit të ri. Në fakt regjimi vetë i trajtonte si një frazeologji pa vlerë ligjet që kishte nxjerrë vetë, duke përfshirë edhe kushtetutën. Edhe pse sipas kushtetutës të vitit 1946 qytetarët kishin të drejta të barabarta dhe nuk bëhej fjalë për asnjë lloj diskriminimi klasor, Hoxha do të shprehej në një arrogancë karakteristike në fjalimin  e mbajtur në Kuvendin Popullor, me rastin e miratimit të Kodit Penal të ri, në 11 maj 1948:
       Kodi ynë i ri nuk e fsheh karakterin e tij klasor, përkundrazi me përcaktimin e fajit penal dhe të dënimit vihet mirë në dukje qëllimi i legjislacionit tonë penal të ri dhe i dënimeve.[clxii]
        Kjo do të thoshte se legjislacioni penal kishte si imperativ luftën e klasave. Lufta e klasave ishte versioni komunist i luftës civile. Regjimi e kishte institucionalizuar kështu luftën civile në legjislacionin penal, para se këtë gjë ta bënte edhe në Kushtetutë, në 1976. Krejt si regjimi nazist, i cili kur Gjermania u përfshi në luftën botërore, filloi eliminimin e çifutëve, edhe regjimi komunist në Shqipëri kishte planifikuar eliminimin e atyre që i konsideronte si armiq të brendshëm. Regjimi komunist kishte nomenklaturën e zezë, listën e emrave të atyre që duheshin eliminuar në rast lufte.
      Në Statut nuk përmendej as ndërtimi i socializmit dhe as i komunizmit, madje deklarohej se qytetarëve u njihej dhe garantohej nisma e lirë ekonomomike, një gjë veçanërisht ironike, se kjo e drejtë deri tash ishte privuar dhunshëm në qytet dhe shpejt do të fillonte të ndodhte dhe në fshat. Pavarësisht nga Statuti, regjimi do të vazhdonte zbatimin e agjendës së vet konspirative për ndryshimin e sistemit shoqëror me dhunë. Nëse kjo gjë shqetësonte pjesën më të madhe të popullit që përdorej si kavie për këtë eksperiment shoqëror, ajo që shqetësonte Hoxhën ishte se dukej se kishte ardhur momenti që të përmbushej plani i shfaqur në plenumin e Beratit, sipas të cilit ai do të zëvendësohej me Xoxen. Hoxha dukej se priste që ta largonin në momentin që do të formohej qeveria e re, me fillimin e legjislaturës në mars. Sipas traditës orale, njerëzit e Xoxes dhe të Spirut, të cilët midis tyre e quanin Hoxhën me tallje «bimbashi» këndonin nën zë, duke adaptuar në rrethanën përkatëse vargjet e këngës së njohur gjirokastrite:
 Doli shkurti, hyri marsi,
 në Tiranë ra bimbashi.
  Por jugosllavët mendonin se Hoxha ende mund t’ u shërbente. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë duhet të nënshkruheshin marrëveshje për të cilat jugosllavëve u konvenonte që t’ i nënshkruante Hoxha, pasi nëse ai do të largohej tash nga pushteti, do të dukej sikur ata ia kishin imponuar me dhunë udhëheqjes shqiptare këtë gjë. Natyrisht që jugosllavëve u konvenonte që Hoxha të ndihej i pasigurt dhe të kishte përshtypjen se Xoxe ishte në gjendje ta largonte  në çdo moment nga pushteti, me pëlqimin e jugosllavëve. Por në anën tjetër jugosllavët i jepnin të kuptonte Hoxhës se qëndrimi i tyre do të varej nga sjellja e tij. Prandaj, me mbështetjen e jugosllavëve, Hoxha mori një mandat të ri si kryeministër në mars 1946. Madje, ai jo vetëm që ruajti portofolin e ministrit të Mbrojtjes, por mori edhe portofolin e Punëve të Jashtme, të cilin deri më atëherë e kishte mbajtur Omer Nishani. Gjithashtu Hoxha u emërua nga Kuvendi Popullor edhe Komandant i  Përgjithshëm i forcave të armatosura, cka i mundësonte të vazhdonte të mbante titullin zyrtar të tij, që ishte «Komandanti».
      Por edhe Koci Xoxe e konsolidoi dhe e zgjeroi pushtetin e vet. Ai në mars u bë ministër i Punëve të Brendshme, me të cilën tashmë ishte bashkuar dhe ish-Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit e shndërruar në Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Njëkohësisht, Xoxe, vazhdonte të mbante dhe postin-kyç partiak të sekretarit organizativ të Komitetit Qendror, që mbulonte sektorin e kuadrit, konsolidoi fuqinë e tij, madje e zgjeroi më tej, duke marrë në dorë edhe policinë veç shërbimit sekret. Xoxe do të bënte drejtor të Sigurimit të Shtetit Nesti Kerenxhin, njeriu e vet nga Korça, baza e fuqisë së Xoxes. Sigurimi i Shtetit ishte një polici politike e ndërtuar sipas modelit sovjetik, të sjellë nga jugosllavët. Në lidhje me këtë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme për Sigurimin e Shtetit, Nesti Kerenxhi, do t’ i shkruante nga Beogradi Xoxes në 29 mars 1946:
       Do të më japin skicën e re të Ministrisë së Brendshme.[clxiii]
      Sigurimi i Shtetit, në raport me qytetarët, ishte për nga detyrat dhe funksioni, krejt i ngjashëm me mafien. Detyra e Sigurimit të Shtetit nuk ishte aq që të zbulonte kundërshtarët realë të regjimit, se regjimet komuniste e perceptonin fajësinë e individit duke u nisur nga përkatësia e tij shoqërore. Kjo bënte që të bëhej i parëndësishëm dallimi mes armikut potencial dhe atij real. Në fakt këtu kishte një racionalitet sardonik. Një njeri, nëse i përkiste një grupi shoqëror që e bënte atë kundërshtar potencial të regjimit, ishte thjesht çështje kohe dhe koniukture që ai të bëhej kundërshtar real, aktiv. Prandaj regjimi i arrestonte dhe i  dënonte me burg e internim, çka do të thoshte punë e detyruar, apo i asgjësonte fizikisht me gjyqe të konceptuara si vrasje juridike kundërshtarët e vet potencialë. Por tashmë regjimi nuk i shikonte kundërshtarët e vet vetëm tek ato grupime shoqërore që i quante klasa të përmbysura, borgjezia dhe kulakët, por tek gjithë populli, i cili kishte filluar të bëhej gjithmonë e më i pakënaqur me regjimin, për shkak të masave të tij ekonomike. Regjimi e shikonte popullin shqiptar si banditi një njeri të rrëmbyer, i cili ishte i shtrënguar të bënte ato që i thoshte ai. Sigurimi i Shtetit duhet ta bënte këtë të funksiononte. Regjimi e shikonte veten si një forcë armiqësore që qëndronte përballë shoqërisë shqiptare, reagimit të së cilës i trembej. Synimi i regjimit ishte që të pengonte bashkimin e popullit kundër tij. Prandaj regjimi kultivonte tek njeriu mosbesimin tek tjetri, tek fqinji, kolegu në vendin e punës, deri edhe tek njeriu i familjes dhe fisit. Këtë qëllim kishte krijimi i një rrjeti total spiunësh nga ana e Sigurimit të Shtetit, të cilët qenë instruktuar të raportonin çdo thënie që mund të interpretohej si agjitacion dhe propagandë kundër regjimit, dhe që në pjesën, më të madhe qenë trivialitete të vërteta. Regjimi me këtë nuk synonte aspak të zbulonte agjentët e huaj, apo grupet e organizuara armiqësore, por të shkurajonte çdo ide për krijimin e tyre. Kësaj i shërbenin dhe gjyqet-spektakël që bëheshin mbi bazën e denoncimeve ndaj njerëzve të zakonshëm, të akuzuar për agjitacion-propagandë. Ndëshkimi shtrihej dhe tek njerëzit e familjes dhe të afërmit e tjerë të atij që dënohej, të cilët shpesh internoheshin, madje edhe burgoseshin, ashtu që të kufizohej veprimi i grupit shoqëror që shihej si kundërshtar i regjimit. 
      Hoxha, në fjalimin para Kuvendit Popullor ku paraqiti programin e qeverisë, për herë të parë në një forum të tillë, bëri një diferencim të qartë ideologjik mes Bashkimit Sovjetik nga njëra anë dhe Britanisë së Madhe dhe SHBA në anën tjetër. Hoxha tha për Bashkimin Sovjetik:
      Bashkimi Sovjetik është faktor i madh për mbrojtjen e popujve të vegjël, për mbrojtjen e sovranitetit, të lirisë dhe të indipendencës së tyre. Populli shqiptar e ka kuptuar mirë këtë gjë dhe prandaj ai e ndjen thellë në zemrën e tij një dashuri të madhe dhe të sinqertë për Bashkimin Sovjetik dhe për udhëheqësin e tij të madh J. V. Stalinin.[clxiv]
      Për SHBA dhe Britaninë e Madhe, Hoxha tha:
       Me popujt e mëdhenj anglo-amerikanë qeveria e re do të vazhdojë si në të kaluarën të forcojë miqësinë me ta në luftë me manevrat e neofashistëve dhe të klikave reaksionare ndërkombëtare.[clxv]
      Në rastin e parë u fol për shtetin sovjetik, ndërsa në rastin e dytë për popujt anglo-amerikanë, të cilët u veçuan nga shtetet përkatëse, të etiketuara, në terma ideologjike, si klika reaksionare. Por këto uvertura të Hoxhës në adresë të Bashkimit Sovjetik nuk gjenin përgjigje. Aq më pak mund të gjente përgjigje të pëlqyeshme gjuha e Hoxhës nga ana e fuqive perëndimore. Një muaj pasi Hoxha tha këto fjalë, në 18 prill 1946, SHBA njohën qeverinë e Titos në Jugosllavi, por ende nuk kishte asnjë shenjë që të njihnin atë të Hoxhës.
      Ironikisht, në kohën kur Hoxha po fillonte të shprehej publikisht në terma ideologjike, ai rrezikonte që të humbte garën për postin-kyç, atë të shefit të partisë, çështjen e mungesës të së cilit e kishte shtruar Sejfulla Malëshova që në plenumin e Beratit. Partia ende nuk kishte një sekretar të përgjithshëm dhe ai pritej të zgjidhej në kongresin e majit. Hoxha ishte vetëm sekretar politik dhe ai nuk do të ishte i sigurt në krye të partisë derisa të mos ishte bërë Sekretar i përgjithshëm, post të cilin e aspironte edhe Xoxe.
  Xoxe e kishte bërë praktikë që ta përdorte Sigurimin e Shtetit në funksion të ambicjeve të veta politike, duke goditur ata që i shihte si mbështetësit potencialë të Hoxhës dhe ky i fundit, me apati, e toleronte këtë gjë. Në hetimet ndaj Xoxes zhvillohet ky dialog mes prokurorit, Spahiut, dhe të pandehurit Xoxe:
       Pyetje: Ku ishte qëllimi që ke vënë nën kontrollin e Sigurimit shokë udhëheqës?
Përgjigje: Kanë qenë dyshimet dhe këto ia kam referuar Sekretarit të Përgjithshëm dhe kam marrë edhe pëlqimin e tij.
Pyetje: Cilat janë këto dyshime?
Përgjigje: E para, janë dyshimet që kisha formuar se mos ishin kundër vijës së partisë, informata për takime me Sejfulla Malëshovën, qëndrimi i Bedriut kundrejt çështjes së Daliut në Byro..., çështja që Shefqet Peçi mbante fotografinë e Bedriut në dhomën e tij dhe nuk mbante atë të Komandantit, pastaj lidha çështjen që Tahir Kadareja, nëqoftëse kishte ndonjë gjë me vijën e Partisë, kjo donte të thoshte se duhej ta kishte këtë në lidhje me Bedriun. Mehmet Shehun e vumë në kontroll se na erdhi një informatë se i kishte vajtur Sejfullai një natë dhe kishim dyshime se mos ikte. Liri Belishova u vu nën kontroll pas Plenumit të 8-të.
Pyetje: A ishin në duart e tua organet e Sigurimit të Shtetit, a udhëzoheshin prej teje këto organe? A përqëndroheshin në duart e tua informatat e këtyre organeve? A ishe ti që e furnizoje Sekretarin e Përgjithshëm me informatat e këtyre organeve?
Përgjigje: Po. Të gjitha këto janë të vërteta, por për vënien në kontrollin e Sigurimit të shokëve udhëheqës informatat ishin më tepër dyshime që kishim krijuar mbi këta udhëheqës, unë dhe Sekretari i Përgjithshëm.[clxvi]
      Xoxe këtu e përmend Hoxhën si Sekretar i Përgjithshëm, pra me postin që kishte në kohën kur fliste ai, dhe jo me postin që kishte pasur në kohën për të cilën flet Xoxe. Ajo që të bën përshtypje është se të gjithë njerëzit që përmend Xoxes janë mbështetës të Hoxhës. Spahiu dhe Tahir Kadare qenë njerëzit e afërt të Hoxhës nga qyteti i Gjirokastrës me të cilët kishte edhe lidhje fisnore, edhe pse të një shkalle të largët. Shefqet Peçi ishte njeriu më i rëndësishëm i regjimit nga krahina e Kurveleshit, pranë Gjirokastrës, të cilën Hoxha donte ta përdorte si një nga bazat e tij të fuqisë personale, çka do të bëhej më vonë. Këtë gjë Hoxha mund ta arrinte duke përdorur Shefqet Peçin e fortë dhe energjik. Prandaj, Xoxe kërkon që me një gur të vrasë dy zogj, të krijojë armiqësi mes Hoxhës, nga njëra anë dhe Spahiut dhe Shefqet Peçit nga ana tjetër. Kështu Xoxe do ta kishte dorën e lirë që t’ i neutralizonte të dy, Spahiun dhe Shefqet Peçin, para se t’ i eliminonte krejt.
      Gjithashtu, Xoxe kërkonte të krijonte armiqësi mes Hoxhës dhe Mehmet Shehun, se edhe këtë të fundit e shikonte si njeriun e Hoxhës. Shefi i rojeve personale të Hoxhës ishte një njeri i afërt i Shehut nga Mallkastra, të cilin ia kishte sugjeruar ky i fundit që gjatë luftës. Edhe të tjerë roje personale të Hoxhës qenë njerëz të afërt të Shehut nga Mallakastra, njëri nga të cilët qe vëllai i Mehmet Shehut, Duro Shehu. Xoxe e kuptonte se Hoxha, me anë të Mehmet Shehut, i cili ishte energjik dhe i fortë edhe më tepër se Shefqet Peçi, mund ta përdorte Mallakastrën si një bazë fuqie personale, prandaj donte ta neutralizonte këtë të fundit, para se ta eliminonte krejt.
      Xoxe ishte në rrugën e sigurt të marrjes së postit të Sekretarit të Përgjithshëm të partisë në kongresin e majit. Askush në Shqipëri nuk do të habitej nëse do të ndodhte kjo gjë. Atëherë në vend këndohej masivisht kjo këngë, e cila qartësisht ishte një sajesë e zyrave të Xoxes, e adoptuar nga propaganda e regjimit:
Kush e çliroi Shqipërinë?
Enver Hoxha me ushtrinë.
Kush e ndërton Shqipërinë?
Koçi Xoxe me partinë.
      Madje tash jugosllavët për çështjet partiake komunikonin me Xoxen dhe jo me Hoxhës. Kjo del kur zëvendësministri i Punëve të Brendshme për Sigurimin e Shtetit, Nesti Kerenxhi, i shkruan nga Beogradi Xoxes në 29 mars 1946:
       U takova me gjeneral Rankoviçin. Fola mbi çdo gjë me të, sepse këtu akoma nuk kanë kaluar poshtë gjithë ndryshimet që kanë të bëjnë me Ministrinë e Brendshme. Më foli për Plenumin e Pestë dhe për konkluzionet. Mendimi i tyre është se në autokritikë është shkuar më larg se sa duhet, se ka qenë më e fortë e më e ashpër se sa duhej. Me gojë do të flasim më gjerë kur të vij atje. Markoja më porositi që të bëj këtë telegram sidomos në lidhje me ruajtjen e dokumentit të konkluzioneve. Ky dokument duhet të mbetet vetëm në duart e Komitetit Central. U gëzua kur i thashë se ai dokument është vetëm për anëtarët e Komitetit Central dhe se poshtë nuk ka shkuar i shkruar.[clxvii]
      Këtu, përtej faktit që PKSH vepronte sipas urdhrave të jugosllavëve, kuptohet se këta e anashkalonin Hoxhën, me të cilin si sekretar politik duhet të komunikonin për këtë çështje. Në këto rrethana Hoxha filloi të afrohet me sovjetikët duke u shprehur atyre shqetësimet e veta. Ministri sovjetik në Tiranë Çuvahin, në raportin që i çonte Moskës në 20 maj 1946, thoshte:
       Ndihet se Enver Hoxha trembet se në kongresin e ardhshëm të partisë Koçi Xoxe do të mundohet të përgatisë kundër tij një diskutim përkatës, duke shfrytëzuar me këtë rast vendimet e Konferencës së Beratit dhe, kësisoj, t’ i forcojë edhe më shumë pozitat e veta në parti. Nuk ka dyshim që Enver Hoxha që para kongresit të partisë kërkon të sigurojë përkrahjen tonë.[clxviii]
      Kongresi i partisë, i caktuar për në fund të majit, ishte shtyrë dhe Hoxha dyshonte dhe me të drejtë, se shtyrja ishte bërë se ai duhej të eliminohej në kongres.  Por jugosllavëve për momentin nuk u konvenonte eliminimi i Hoxhës prandaj bënë që kongresi të shtyhej. Kongresi ishte forumi më i lartë i partisë dhe duke qenë ky kongresi i parë i saj, duhej që të bënte bilancin e gjithë arritjeve dhe problemeve të saj që nga themelimi, dhe do t’ u jepte të gjithëve atë që u takonte për meritat dhe fajet, duke përfshirë edhe Hoxhën. Kongresi sigurisht që do të njihte drejtësinë e frymës dhe vendimeve të plenumit të Beratit dhe kjo do të thoshte që Hoxha të eliminohej. Ajo që të bën përshtypje në raportimin e ministrit sovjetik në Tiranë, është se Hoxha tashmë kishte filluar që të kërkonte mbështetjen e Moskës, për të si person. Por Stalini ende nuk donte të ndërhynte në marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare. 


[i] Ismail Kadare: «Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur», Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve «Naim Frashëri», Tiranë 1963, f. 94-95
[ii] Ismail Kadare nuk e ka sqaruar kurrë këtë mister. Ai, pas rënies së komunizmit ka bërë zhurmë për censurimet që i janë bërë për gjëra të tjera, shumë më të lehta se kjo, por kurrë nuk ka folur se si ka mundur që ta bëjë të kalojë këtë fragment në filtrin e censurës. 
[iii] Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 54
[iv] Petro Marko: «Intervistë me vetëveten: retë dhe gurët», Shtëpia botuese «Omsca», Tiranë 2000, f. 459-460
[v] «Dokumenta dhe qarkore të Partisë Komuniste Shqiptare», Botimi i Komitetit Qendror të PKSH, Tiranë 1948, f. 2
[vi] «Letra të CEKA Komitetit Qëndror të Partis Komuniste Jugosllave», Botim i Komitetit Qëndror të PPSH, Tiranë 1949, f. 8-9
[vii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 281
[viii]«PPSH: Dokumente kryesore», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi 1, f. 446
[ix] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 247- 248
[x] po atje: f. 248
[xi] Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 5
[xii]«Letra të CEKA Komitetit Qëndror të Partis Komuniste Jugosllave», Botim i Komitetit Qëndror të PPSH, Tiranë 1949, f. 9
[xiii] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga: Islam Lauka, Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 117
[xiv]«Politika antikombëtare e Enver Hoxhës», Plenumi II i Beratit, dokumente, Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, Tiranë 1995, f. 47
[xv]po atje: f. 48
[xvi] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 242
[xvii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 566
[xviii]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 370
[xix]«Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm e të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, Vol 2, f. 352
[xx] po atje: f. 353
[xxi] po atje: f. 353
[xxii] po atje: f. 357-358
[xxiii] po atje: f. 362
[xxiv] po atje: f. 355
[xxv] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga: Islam Lauka, Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 100-101
[xxvi]po atje: f. 101
[xxvii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 119
[xxviii]Gazeta «Bashkimi», 8 dhjetor 1946, f. 3
[xxix]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 466
[xxx] Enver Hoxha: Vepra, vol 11, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 147
[xxxi]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f.101
[xxxii]Vladimir Dedijer: «Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare: 1939-1948», Shtëpia botuese «Medaur», Tiranë 2005, f. 163-164
[xxxiii] Bato Tomasheviç: «Jetë dhe vdekje në Ballkan», Shtëpia botuese «Onufri», Tiranë 2009, f. 360-361
[xxxiv]po atje: f. 360-361
[xxxv]Enver Hoxha: «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1984, f. 489
[xxxvi]«Historia e Shqipërisë», Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1983, Vol. IV, f. 37
[xxxvii]Revista «Studime historike», Botim i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave, Tiranë 2006, nr 1-2, f. 193
[xxxviii]Beqir Ajazi: «Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan», Shtëpia botuese «55», Tiranë 2007, f. 478
[xxxix]«Historia e Shqipërisë», Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë, Tiranë 1984, vol. IV. f. 32
[xl]Petro Marko: «Intervistë me vetveten», Shtëpia botuese «OMSCA», Tiranë 2000, f. 443
[xli] Enver Hoxha: Vepra, vol 64, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1989, f. 395
[xlii]Nexhmije Hoxha: «Jeta ime me Enverin», Enti botues «Lira», Tiranë 1998, Vol. I, f. 155
[xliii]po atje: f. 155
[xliv]po atje: f. 156-157
[xlv] Enver Hoxha: Vepra, vol 64, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1989, f. 395-396
[xlvi]po atje: f. 395
[xlvii]Nexhmije Hoxha: «Jeta ime me Enverin», Enti botues «Lira», Tiranë 1998, Vol. I, f. 162
[xlviii]po atje: f. 167
[xlix]po atje: f. 167
[l] po atje: f. 165
[li] po atje: f. 163-164
[lii]po atje: f. 164
[liii]po atje: f. 159-160
[liv] Fatos Daci: «Enciklopedia e Dibrës», Shtëpia botuese «Albpaper», Tiranë 2006, Vol. 1, f. 134
[lv] Dayrell Oakley-Hill: «Një anglez në Shqipëri», Shtëpia botuese «Koçi», Tiranë 2006, f. 182-183
[lvi] po atje: f. 189
[lvii]Duro Shehu: «Mehmet Shehu im vëlla», Botimet «Bota shqiptare», Tiranë 2008, f. 196
[lviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 292
[lix] Bato Tomasheviç: «Jeta dhe vdekja në Ballkan», Shtëpia botuese «Onufri», Tiranë 2009, f. 363
[lx] po atje: f. 364
[lxi] Nexhmije Hoxha: «Jeta ime me Enverin», Enti botues «Lira», Tiranë 1998, Vol. I, f. 382-383
[lxii]«Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm e të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, Vol 2, f. 381
[lxiii] po atje: f. 389
[lxiv] «Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 389
[lxv]«Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm e të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, Vol 2, f. 388
[lxvi] «Dosja sekrete e UDB-së: emigracioni shqiptar 1944-1953», Shtëpia botuese «Koha» & Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Prishtinë, Tiranë, f. 13
[lxvii] «Marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave: 1945- 1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 558
[lxviii]po atje: f. 543
[lxix]po atje: f. 544
[lxx]po atje: f. 544
[lxxi]po atje: f. 554
[lxxii]po atje: f. 559
[lxxiii] «Fjalori Enciklopedik Shqiptar», Akademia e Shkencave e RPSSH, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1985, f. 66
[lxxiv]Shih: Ndreçi Plasari: «Shpresë për popullin tmerr për armikun: Brigada I Sulmuese», Shtëpia botuese «Naim Frashëri», f. 567-574
[lxxv]po atje: f. 568
[lxxvi]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 542- 543
[lxxvii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 472
[lxxviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 29, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, f. 507
[lxxix]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 181
[lxxx]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f.139
[lxxxi]Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, viti 1945, Dosja 26, fleta 8
[lxxxii]Arkivi Qendror i Shtetit, viti 1945, Dosja 8, fleta 3
[lxxxiii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 890, viti 1946, Dosja 94, fleta 1-2
[lxxxiv] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 365
[lxxxv]Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, DSSH, viti 1945, Dosja 64, fleta 6
[lxxxvi]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 314
[lxxxvii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 218-219
[lxxxviii]Arhiv Josipa Broza Tita. Fond Kabinet Marsala Yugoslavije. I- 1/7. L. 6-11
[lxxxix]po atje
[xc] Revista «Studime historike», Botim i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave, Tiranë 2006, nr 1-2, f. 196
[xci] Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 50
[xcii]po atje: f. 50
[xciii]J. Stalin: «Mbi luftën e madhe patriotike të Bashkimit Sovjetik», Botim i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Tiranë 1952, f. 176
[xciv]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 193- 194
[xcv]po atje: f. 194- 195
[xcvi] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 581
[xcvii] po atje: f. 580
[xcviii] «Fjalori Enciklopedik Shqiptar», Akademia e Shkencave e RPSSH, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1985, f. 119
[xcix]Enver Hoxha: «Vite të Rinisë», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1988, f. 93-94
[c] Uran Asllani: «Studentët shqiptarë të Francës dhe veprimtaria e tyre», «Ilar», Tiranë 2003, f. 202-203
[ci] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 39
[cii] po atje: f. 44
[ciii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 219
[civ] Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Viti 1945, L. 1, d. 1, f. 1
[cv] Enver Hoxha: «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1984, f. 490
[cvi] «Konferenca e Dytë Nacionale e Partisë së Punës së Shqipërisë», përmbledhje materialesh, Botim i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 85
[cvii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 219
[cviii]«Dokumenta dhe qarkore të Partisë Komuniste Shqiptare», Botimi i Komitetit Qendror të PKSH, Tiranë 1948, f. 294
[cix] Dayrell Oakley-Hill: «Një anglez në Shqipëri», Shtëpia botuese «Koçi», Tiranë 2006, f. 180
[cx] po atje: f. 184
[cxi]Revista «Studime historike», Botim i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave, Tiranë 2006, nr 1-2, f. 189
[cxii] gazeta «Bashkimi», 2 qershor 1945, f. 1
[cxiii]Dayrell Oakley-Hill: «Një anglez në Shqipëri», Shtëpia botuese «Koçi», Tiranë 2006, f. 185-186
[cxiv] po atje: f. 185-186
[cxv] po atje: f. 186-187
[cxvi] po atje: f. 194
[cxvii] «Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm e të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, Vol 2, f. 402
[cxviii] Dayrell Oakley-Hill: «Një anglez në Shqipëri», Shtëpia botuese «Koçi», Tiranë 2006, f. 194
[cxix] po atje: f. 200
[cxx] Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 427
[cxxi]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f.153
[cxxii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 462-463
[cxxiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 15, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 37
[cxxiv]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 301
[cxxv]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 23
[cxxvi]«Historia e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik», Botimi në shqip nga: Instituti i Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1959, f. 817
[cxxvii]«Historia e Shqipërisë», Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1983, Vol. IV, f. 29
[cxxviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 84-85
[cxxix]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 120
[cxxx]po atje: f. 120
[cxxxi]po atje: f. 120
[cxxxii]po atje: f. 120
[cxxxiii]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 85
[cxxxiv]po atje: f. 85
[cxxxv]po atje: f.191
[cxxxvi]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1945, lista 1, Dosja 2, fleta 36
[cxxxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f.175
[cxxxviii]po atje: f.172
[cxxxix]po atje: f. 172
[cxl]po atje: f.179
[cxli]po atje: f.197
[cxlii] Këtu dua të saktësoj se, kur unë përdor termin «musliman» në këtë libër, me këtë nuk kam parasysh muslimanët praktikantë ose besimtarë, por thjesht atë pjesë të popullsisë së Shqipërisë paraardhësit e së cilës u detyruan me dhunë në kohën e pushtimit osman që të kthejnë fenë, nga e krishterë në islamike. Derisa vetëm një pjesë fare e vogël e kësaj popullsie ishte besimtare praktikante, atëherë termi «musliman» për këtë popullsi mund të përdoret vetëm në sensin social, ashtu që shenjon një bashkësi sociale e cila ka një vecori që e dallon nga të tjerat.
[cxliii] «The Charge in Soviet Union to the Secretary of State», Moscow, February 1946, «Foreign Relations of United States», Vol IV, Eastern Europe; The Soviet Union, Washington 1969, p.3
[cxliv]«PPSH: Dokumente kryesore», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi 1, f. 270
[cxlv]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga: Islam Lauka, Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 211-212
[cxlvi]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 232
[cxlvii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 592-593
[cxlviii]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 269-270
[cxlix]po atje: f. 270
[cl]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 272
[cli]«PPSH: Dokumente kryesore», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi 1, f. 270
[clii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 222
[cliii]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 286
[cliv]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 170
[clv] Enver Hoxha: «Eurokomunizmi është antikomunizëm», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 136
[clvi] Enver Hoxha: «Eurokomunizmi është antikomunizëm», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 137
[clvii]«Historia e PPSH», Instituti i Studimeve Marksiste- Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1968, f. 222
[clviii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 498
[clix]po atje: f. 480
[clx]Jusuf Vrioni: «Kujtimet e një europiani», Shtëpia botuese «Albimazh», Tiranë 2008, f. 98
[clxi]Francois Furet: «E shkuara e një iluzioni: Ese mbi idenë komuniste në shekullin XX», Shtëpia botuese «Dukagjini», Pejë 2003, f. 376
[clxii]Enver Hoxha: Vepra, vol 4, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1970, f. 482
[clxiii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 29
[clxiv]Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1969, f. 314
[clxv]po atje: f. 315
[clxvi]«Marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 541-542
[clxvii] po atje: f. 29
[clxviii] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga: Islam Lauka, Eshref Ymeri: Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 120