1.
Kur tragjedia përfundon si komedi: Tito braktis Shqipërinë, Enver Hoxha nuk braktis Jugosllavinë
Në kohën kur Xoxe dhe të vetët ngushëllonin veten, duke thënë se edhe pse gjahu (Hoxha) u shpëtoi këtë herë, shpejt do t’ u vinte rasti tjetër, dhe kur Hoxha nuk mund të mos shihte fundin tragjik në këtë dramë të politikës së përgjakshme, befas drama u shndërrua përfundimisht në komedi, për fatin e mirë të Hoxhës. Të nesërmen e ditës që Hoxha i shkroi letrën Titos, në 18 mars 1948, Bashkimi Sovjetik largoi specialistët ushtarakë dhe civilë nga Jugosllavia, çka do të thoshte se angazhimi sovjetik në Jugosllavi merrte fund. Në fakt ky ishte hapi i parë konsistent i prishjes mes dy vendeve. Fakti nëse ishte Jugosllavia ajo që u shkëput nga Bashkimi Sovjetik, apo ishte ky i fundit ai që e braktisi Jugosllavinë, ka një rëndësi të madhe për këtë libër, se nën dritën e së vërtetës së kësaj ngjarjeje sqarohen shumë veprime të Hoxhës të asaj kohe dhe të mëvonshme, por sqarohet edhe gjithë politika sovjetike e mëvonshme ndaj Shqipërisë.
Të gjitha të dhënat tregojnë se ishte Stalini ai që e braktisi Jugosllavinë. Duket se fakti që Beogradi po vononte zbatimin e porosisë së Stalinit për bashkimin e Jugosllavisë në një federatë me Bullgarinë, e bindi përfundimisht Stalinin që ta bënte këtë gjë. Nuk është e rastit që kjo gjë ndodhi një ditë pasi Presidenti amerikan Truman iu drejtua dhomave të bashkuara të Kongresit me një fjalim ku për herë të parë e denoncoi nominalisht Bashkimin Sovjetik, duke e akuzuar se ai dhe agjentët e tij kishin shkatërruar pavarësinë e një numri vendesh në Europë (Truman i referohej Çekosllovakisë si rasti më i fundit, ku qe bërë nga komunistët ai që u quajt Puçi i Pragës), duke e bërë situatën kritike atje. Me këtë rast Truman kërkoi miratimin e Planit Marshall, si dhe të disa masave që shënonin hyrjen e SHBA në Luftën e Ftohtë, të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, me përzgjedhje, si dhe të stërvitjes ushtarake të përgjithshme.
Stalini, me ndërprerjen e angazhimit sovjetik në Jugosllavi, e cila me politikën që ndiqte në atë kohë qe bërë një gjenerator konflikti mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit, donte t’ u thoshte SHBA se ai kishin si qëllim ekspansionin pa kufi, siç pretendohej në Doktrinën Kennan, por konsolidimin e një zone të kufizuar sigurie rreth kufijve sovjetikë. Pikërisht tre ditë pas fjalimit të Truman dhe dy ditë pas tërheqjes të specialistëve sovjetikë nga Jugosllavia, Stalini bëri një veprim tjetër që ai priste të interpretohej në sensin e mësipërm. Në 20 mars 1948 përfaqësuesi sovjetik u largua nga mbledhja e Këshillit Aleat i Kontrollit të Gjermanisë, në Berlin, duke i akuzuar perëndimorët për veprime të njëanëshme. Në fakt sovjetikët donin të tërhiqeshin në zonën e tyre dhe ta veçonin atë.
Veprime të tjera të Stalinit tregojnë se ai donte që ta përshpejtonte prishjen me Jugosllavinë, duke eliminuar paraprakisht çdo mundësi për pajtim. Në 27 mars 1948. KQ i PK të BS i çoi një letër paralajmëruese KQ të PKJ. Stalini nuk veproi në linjën e Byrosë Informative, siç do të duhej të bënte por në linjën dypalëshe. Stalini, në stilin e vet karakteristik, e provokoi udhëheqjen jugosllave me sulme ideologjike, në mënyrë që të pritej çdo rrugë për pajtim në forumin e komunizmit ndërkombëtar, Byrosë Informative. Me këtë Stalini sikur e nxiti Titon që të refuzojë vajtjen në mbledhjen e ardhshme të Byrosë Informative, dhe ta bëjë publik konfliktin. Që në dinamikë të prishjes mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik ishte ky i fundit, kjo gjë kuptohet dhe nga kronologjia mëtutjeshme e prishjes. Në 12-13 prill 1948, Plenumi i KQ të PKJ diskuton letrën sovjetike, por nuk vendos të çojë përgjigje. Në 9 maj KQ i PK të BS i çon një letër tjetër me akuza homologut jugosllav. Kjo letër e dytë ishte e llogaritur që ta bënte Titon të mos çonte delegacion në mbledhjen e Byrosë Informative për të cilën qenë ndarë ftesat. Kështu që në 20 maj 1948 KQ i PKJ njofton se nuk do të çojë delegacion në mbledhjen e ardhshme të Byrosë Informative, çka ishte ajo që donin sovjetikët.
Është spekuluar me atë se Stalini ka dashur që ta rrëzojë Titon nga pushteti dhe ta rikthejë Jugosllavinë në sferën sovjetike të influencës. Në fakt, sipas Marrëveshjes së Yalta, Jugosllavia nuk duhet të ishte krejtësisht në sferën sovjetike të influencës çka shpjegon se përse trupat sovjetike u larguan nga Jugosllavia, me largimin e gjermanëve prej territorit të saj. Kur Churchill i propozoi Stalinit një ndarje fifty-fifty të influencës mbi Jugosllavi, të cilën ky i fundit e pranoi, kryeministri britanik kishte parasysh së pari bregdetin jugosllav. Sigurisht që britanikët dhe amerikanët, të cilët më pas u bënë aktivë në Ballkan, nuk kishin ndërmend që për të mbrojtur 50 përqindshin e tyre në Jugosllavi të çonin forca ushtarake atje, me kusht që në Jugosllavi të mos kishte forca ushtarake sovjetike. Prandaj trupat sovjetike u larguan nga Jugosllavia në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë Stalini nënshkroi një traktat aleance me Jugosllavinë, çka ishte një dëshirë e jugosllavëve, të cilët donin ndihmën sovjetike në aventurat që po ndërmerrnin në kufijtë e tyre veriperëndimorë dhe jugorë. Kur Stalini e pa se veprimet e jugosllavëve mund të bënin që ushtria sovjetike të detyrohej të shkonte në Jugosllavi, për t’ u përballur në luftime me ushtritë amerikano-britanike, atëherë vendosi që ta braktisë përfundimisht Jugosllavinë. Në vendimin e Stalinit influencoi dhe paaftësia e Moskës për të përmbushur planet ambicioze të Titos për industrializmin e Jugosllavisë, çka bënte që t’ i adresoheshin Moskës kërkesa për ndihmë kolosale ekonomike. Kjo çështje u bë më e mprehtë tashmë që Jugosllavisë iu ndërprenë ndihmat e UNRRA, e cila pushoi së funksionuari, dhe kur vendi kishte refuzuar Planin Marshall.
Me pragmatizmin e tij Stalini e kuptoi se Jugosllavia nuk ia vlente çmimin që kërkonte. Stalini e kuptoi se në rast se do të rrëzohej Tito nga pushteti, Jugosllavia do të shndërrohej në problem real për Bashkimin Sovjetik, se ai do të detyrohej të implikohej për të mbështetur serbët dhe malazezët që do të hynin në luftra etnike në Bosnjë-Herzegovinë dhe Kroaci. Jugosllavia e ndarë do të shndërrohej në një lloj Koreje të re, ku SHBA mund të ndërhynin për të frenuar ekspansionin serb në dëm të kroatëve dhe boshnjakëve. Por edhe Maqedonia do të krijonte probleme mes Serbisë dhe aleates së Moskës, Bullgarisë. E gjithë kjo do të kërkonte shpenzime të mëdha për Bashkimin Sovjetik të ezauruar nga lufta, dhe Stalini nuk donte t’ i hynte kësaj aventure përtej harkut që kishte hequr ai përreth kufirit perëndimor sovjetik, për zonën e sigurimit. Tito i kuptonte këto, por megjithatë ai bënte zhurmë se Stalini po planifikonte ta invadonte Jugosllavinë dhe më e pakta po përgatiste puçe kundër tij, se kështu Tito përfitonte më shumë ndihma nga Perëndimi. Propaganda për rrezikun sovjetik ndaj Jugosllavisë u bë investimi kryesor i Titos në kancelaritë perëndimore për të përfituar ndihma. Perëndimi dhe SHBA, në radhë të parë, e kuptonin mirë bluff-in e Titos, por e merrnin të mirëqenë, se kjo i shërbente politikës së kompleksit ushtarak-industrial në SHBA që ekzagjeronte rrezikun sovjetik.
Për letrën që Hoxha i bëri Titos mori një përgjigje verbale në 30 mars, tre ditë pasi Titoja kishte marrë letrën e parë plot akuza të Stalinit, gjë për të cilën Hoxha ende nuk ishte në dijeni. Titoja e dha përgjigjen me anë të të dërguarit jugosllav në Tiranë, Zllatiç. Për këtë Hoxha e informon po atë ditë Byronë Politike:
Savoja erdhi e më dha përgjigje të letrës që i bëra përsa i përket federatës me Bullgarinë. Ai qe vënë në dijeni nga Beogradi se nuk e shihnin të kohës (nuk kishte ardhur momenti) që të bëjmë federatën. Kjo për arsye ekonomike, ushtarake, politike etj, etj... Për çështjen e Komandës gjithashtu tha se është e parakohshme.[i]
Hoxha i marsit i 1948, me fjalët e mësipërme, përgënjeshtron Hoxhën e mëvonshëm, i cili do të pretendonte se ishte ai që, me ndihmën e Stalinit pengoi realizimin e planeve aneksioniste jugosllave ndaj Shqipërisë. Në fakt ishin vetë jugosllavët ata që hoqën dorë nga zbatimi i planit të tyre për aneksimin e Shqipërisë. Arsyeja për të cilën jugosllavët e bënë këtë gjë ishte se ata i druheshin përdorimit të Shqipërisë si një pretekst për ndërhyrje ushtarake kundër Jugosllavisë. Fjala nuk ishte për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë sovjetike, por për një ndërhyrje të Bullgarisë, të mbështetur nga Bashkimi Sovjetik. Shqipëria kishte një traktat miqësie dhe ndihme reciproke me Bullgarinë, të ngjashëm me atë me Jugosllavinë, dhe ky traktat mund të përdorej për të justifikuar një ndërhyrje ushtarake bullgare në ndihmë të Shqipërisë. Kufiri jugosllavo-bullgar shihej nga Tito në atë kohë si pika më delikate e mbrojtjes përballë rrezikut sovjetik, se në anën jugosllave të kufirit ishte popullsia maqedone bullgarofone. Tashmë që Jugosllavia nuk do të ishte më në sferën sovjetike të influencës, Moskës i interesonte që Maqedonia të bëhej pjesë e Bullgarisë.
Jugosllavët e dinin se Bashkimi Sovjetik nuk do të rrezikonte të ndërmerrte një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Jugosllavisë, për të vënë të gjithë vendin nën kontrollin e tij, por një luftë e pjesshme, për të kontrolluar një pjesë të Jugosllavisë, ishte një rrezik i pranueshëm. Nëse Jugosllavia do të ballafaqohej me një mësymje bullgare në kufirin juglindor, ajo do të gjendej në një pozitë shumë të vështirë se do t’ i duhej që një pjesë të madhe të forcave t’ i mbante për të siguruar kufirin me Rumaninë, Hungarinë, por edhe Italinë, të cilat kishin të gjitha llogari territoriale me Jugosllavinë. Bashkimi Sovjetik mund të bënte fare mirë një luftë by proxy kundër Jugosllavisë, me pasoja fatale për këtë të fundit. Në Beograd druheshin se kjo luftë do të iniconte luftën civile në vend, midis përkrahësve të Stalinit dhe atyre të Titos, dhe do të çonte në shpërbërjen e Jugosllavisë. Në Beograd e kuptonin se nuk ia vlente aneksimi i Shqipërisë me një çmim të tillë.
Hoxha nuk mund të kishte një perceptim të tillë të ngjarjeve në 30 mars, kur në Byronë Politike diskutohej për përgjigjen e Titos. Që çarja sovjeto-jugosllave po bëhej serioze, këtë Hoxha, bashkë me politbyroistët e tjerë, e kishte kuptuar prej disa kohësh. Por tashmë ai e kishte kuptuar edhe se në dinamikë të prishjes sovjeto-jugosllave qe Moska, se ai ishte në dijeni të largimit të specialistëve sovjetikë nga Jugosllavia, siç do ta citoj më poshtë. Por Hoxha e interpretonte gabim atë që po ndodhte, çka kuptohet nga ky dialog që bëhet në mbledhjen e Byrosë Politike në 30 mars 1948, midis tij dhe Nesti Kerenxhit:
Nesti Kerenxhi: Për këto që kemi ngritur duhet t’ u themi sovjetikëve se ne kemi vendosur të bëjmë diçka.
Komandanti (E. Hoxha): Nga Jugosllavia janë tërhequr këshilltarët e specialistët e BS. Tashti, atje i tërheqin, ne i sjellim.[ii]
Hoxha në 30 mars 1948 e konsideronte përfundimisht të dalë nga loja Stalinin dhe Bashkimin Sovjetik sa i përket Shqipërisë, dhe sytë i kishte vetëm nga Beogradi. Hoxha mendonte se derisa sovjetikët po braktisnin Jugosllavinë, aq më tepër që ata nuk do të kishin të bënin me Shqipërinë, të cilën e ndante prej kampit sovjetik pikërisht Jugosllavia. Sipas mendjes së Hoxhës këtë llogari bënte Tito kur u kishte kumtuar shtyrjen e bashkimit mes dy vendeve, në të gjitha aspektet. Hoxha mendonte se Tito tashmë e shihte Shqipërinë si një frut të pjekur që nuk kishte se ku të binte tjetër veçse në dorën e tij. Prandaj Tito nuk donte që të zgjaste dorën dhe ta këpuste frutin nga dega pa u shpallur prishja, që tashmë dukej imediate, në mënyrë që të mos i jepte argumente Stalinit. Hoxha mendonte se në situatën e re, Bashkimi Sovjetik qe tërhequr nga Jugosllavia, ai nuk mund të priste më mbështetje sovjetike në ballafaqimin me Jugosllavinë. Prandaj Hoxha e kundërshton Nesti Kerenxhin, i cili kërkon që të pyesin në Moskë. Ironikisht, Hoxha, me këto fjalë dilte më projugosllav se njeriu i Xoxes, Nesti Kerenxhi! Madje Hoxha me këto fjalë dilte dhe si antisovjetik, në pikëpamjen që do të shiheshin gjërat pak kohë më pas prej atij vetë.
Hoxha në kujtimet e veta pretendon se jugosllavët bënë dhe një përpjekje tjetër në prill për bashkimin mes dy vendeve:
Savo Zllatiçi kishte mbërritur në Tiranë me një mesazh tepër të rëndësishëm të udhëheqjes jugosllave e kërkoi takim urgjent me ne. E pritëm sapo na u krijua mundësia. [iii]
Në libër është shënimi:
Ky takim është bërë në 10 prill 1948.[iv]
Ajo që kumtoi Zllatiç ishte në fakt plani për zbatimin e protokollit të nënshkruar në 1946 midis dy vendeve, për krijimin e organeve të përbashkëta të administrimit ekonomik, të cilat qenë krijuar pjesërisht. Ishte krijuar komisioni i përbashkët me qendër në Tiranë, por nuk ishte krijuar ende komiteti i përbashkët me qendër në Beograd, i cili do të ishte superior mbi këtë të fundit. Komisioni thjesht do të funksiononte si një instancë vendore e komitetit. Sipas Hoxhës Zllatiç tha:
Në praktikë jeta na ka çuar në një njësi ekonomike të bashkuar dhe vështirësitë e mëtejshme për ndërtimin e socializmit do të jenë më të lehta, nëse ne e vemë në baza më të shëndosha bashkimin ekonomik... Udhëheqja jonë mendon që në formë organizative hapi i ri të konkretizohet me krijimin e një komiteti në Beograd dhe të Komisionit të Koordinimit në Tiranë. Komiteti në Beograd do të ketë në krye një ministër jugosllav dhe një ndihmësministër shqiptar. Komisioni i Koordinimit në Tiranë do të ketë në krye një ministër shqiptar e një ndihmësministër jugosllav. Kuptohet, gjë e re dhe kryesore këtu do të jetë komiteti. Ai do të jetë një organ i përbashkët i dy qeverive tona, i cili do të marrë mbi vete një pjesë të kompetencave e të përgjegjësive të të dy vendeve. Ky komitet do të jetë, pra, fillesa e qeverisë së ardhshme të përbashkët.[v]
Nuk dukej se jugosllavët e kishin me gjithë mend që donin të avanconin agjendën e bashkimit në një kohë që qenë shprehur për ndalimin e saj. Arsyeja e kërkesës së fundit të jugosllavëve ishte që t’ a bënin Tiranën që t’ i drejtohej Beogradit me një kërkesë që do të interpretohej si shprehje e dëshirës për bashkim. Në takimin e tij Zllatiçi e kishte bërë verbalisht kërkesën e tij, kurse nga ana shqiptare kërkonte që t’ i drejtohej Beogradit me shkrim. Pastaj jugosllavët do ta përdornin këtë dokument për t’ u thënë sovjetikëve se qenë shqiptarët ata që e donin bashkimin e vendit të tyre me Jugosllavinë, dhe se gjërat nuk qenë ashtu siç thoshin sovjetikët, të cilët kështu do të dilnin sikur kishin bërë diversion në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Pra, jugosllavët, edhe sikur ta merrnin dokumentin që kërkonin, do ta përdornin atë vetëm në aspektin propagandistik.
Por Hoxha dhe Xoxe tashmë kishin tmerr prej propozimeve verbale jugosllave. Ata e kuptuan se që të zbatohej ajo që kërkonte Zllatiçi do të duhej që udhëheqja shqiptare duhej t’ i drejtohej me një kërkesë me shkrim udhëheqjes jugosllave për krijimin e komitetit të përbashkët në Beograd. Pastaj Beogradi do t’ i ftonte. Prandaj Hoxha, edhe me miratimin e Xoxes të pranishëm, i tha Zllatiçit:
Nuk po diskutojmë për përmbajtjen e problemeve që ngritët, por për mënyrën e paraqitjes. Ne do t’ i shqyrtojmë ato vetëm kur të na i jepni me shkrim.[vi]
Shumë e qartë. Shërbëtorët qenë gati të përmbushnin urdhrat delikate të padronit, por ky nuk duhet t’ ua kishte me hile atyre vetë, se për pasojat për vendin nuk po pyesnin. Me natyrën e vet të pamposhtme prej komediani, Hoxha i sjell në kujtimet e veta këto detaje sinjifikuese. Pikërisht në kohën që në Beograd mbahej plenumi i jashtëzakonshëm i Komitetit Qendror të PKJ, që mori në shqyrtim letrën sovjetike (12-13 prill 1948), Moska, me anë të të dërguarve të vet në Shqipëri i dha udhëheqjes shqiptare një kopje të letrës që i kishte çuar udhëheqjes jugosllave. Kjo na zbulohet kur Hoxha jep takimin me Zllatiç si pikë reference kohore për dorëzimin e letrës sovjetike:
Nuk kaluan as dy- tri ditë nga ky takim, kur një ngjarje e rëndësishme sqaroi e ndriçoi përfundimisht gjithçka: Në duar na ra letra e parë e KQ të PK të BS, drejtuar udhëheqjes titiste jugosllave.[vii]
Derisa Hoxha thotë më lart se takimi me Zllatiç u bë në 10 prill, atëherë del se kopja e letrës sovjetike i ka ardhur Hoxhës në 12 ose 13 prill. Ky gjest i sovjetikëve ishte qartësisht një diversion në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, por sovjetikët nuk merrnin asnjë angazhim të përcaktuar për t’ i mbështetur shqiptarët, në rast se jugosllavët do të donin që t’ i imponoheshin Shqipërisë. Hoxha shkruan në kujtimet e veta se për kohën kur ia paraqiti Byrosë Politike letrën sovjetike:
Ndodhi kjo, e mbaj mend mirë, më 17 prill 1948.[viii]
Hoxha, duke folur për largimin nga Shqipëria të nesërmen në shenjë proteste e të dërguarit jugosllav Zllatiç, çka shënoi dhe prishjen e marrëdhënieve speciale mes dy vendeve nga jugosllavët, thotë për mbledhjen e Byrosë Politike të datës 17 prill:
Në të njëjtën kohë ata s’ kishin dëgjuar asnjë fjalë se si do të reagonim ne ndaj letrës së Partisë Bolshevike e ndaj konfliktit sovjeto-jugosllav në tërësi. Jo më kot një ditë më parë, në mbledhjen e Byrosë Politike, unë nuk e shpreha mendimin tim për letrën e Stalinit dhe jo rastësisht kërkova që të mos prononcoheshim aty për aty. E bëra këtë edhe që shokët të përgatiteshin qetë e lirisht, por edhe me bindjen se Xoxja e klani i tij do t’ ua transmetonin menjëherë padronëve të tyre mendimet tona. Kështu që këtë armë ne nuk ua dhamë.[ix]
Arsyetimi i Hoxhës është më së paku i çuditshëm. Në rast se ato që thuheshin në letrën sovjetike për jugosllavët qenë të drejta, siç do të thoshte më pas Hoxha, atëherë përse nuk duhet të prononcohej ai pro letrës sovjetike? A nuk ishte kjo gjëja që kishte pritur Hoxha, pra që të kishte mbështetjen sovjetike në qëndresën e supozuar të tij ndaj jugosllavëve? Në ç’ kuptim mund ta përdornin jugosllavët si «armë» prononcimin e Hoxhës pro letrës sovjetike, këtë gjë ai nuk e shpjegon. Duket se Hoxha i druhej shantazhit që i bënin jugosllavët, të cilët e dinin shumë mirë se kush ishte Hoxha dhe kishin dosjen e plotë të tij, që nga viti 1941. Hoxha e bën të qartë se ai as që ka tentuar që ta përdorë letrën sovjetike që Shqipëria të shkëputej nga varësia prej Jugosllavisë. Ai vetë thotë se këtë hap e bënë të parët jugosllavët, siç do të tregoj më tutje. Arsyeja kryesore për të cilën Hoxha dhe Byroja Politike në Tiranë nuk u prononcuan për letrën sovjetike ishte se për të nuk kishte ende as edhe një prononcim në rrugë konfidenciale nga Beogradi. Hoxha nuk thotë se jugosllavët e vunë në dijeni për qëndrimin ndaj letrës sovjetike të Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të tyre- ky i fundit e shqyrtoi letrën sovjetike pesë ditë para se ajo të paraqitej në Byronë Politike në Tiranë. Kështu që Hoxha dhe politbyroistët e tij qartësisht prisnin prononcimin jugosllav ndaj letrës sovjetike. Në vend të kësaj të nesërmen jugosllavët braktisën Shqipërinë. Hoxha e tregon kështu episodin e prishjes në kujtimet e veta:
një ditë më pas, më 18 prill 1948, të paktën në lidhjet me Partinë e vendin tonë, davaja e jugosllavëve u duk qartë se mori fund... Kishin ardhur në atë periudhë në vendin tonë dy tre kineastë sovjetikë që të xhironin një film dokumentar për Shqipërinë. Kishin mbaruar punë me xhirimet dhe, para se të largoheshin për në Moskë, m’ u drejtuan nëpërmjet ambasadorit sovjetik, se do të ishin të lumtur nëse unë do të gjeja kohë ta shikoja filmin që kishin xhiruar. Pranova me gjithë qejf. Në mbrëmjen e 18 prillit i ftova kineastët në Pallatin e Brigadave, ftova bashkë me ta dhe ambasadorin Çuvahin e funksionarë kryesorë të ambasadës sovjetike, ftova shoqërisht edhe ambasadorin jugosllav dhe Savo Zllatiçin, ambasadorin bullgar e ndonjë tjetër, që nuk e mbaj mend. Nga shokët tanë ishin Hysni Kapo, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu e Tuk Jakova.
Ishte gjithë kjo një mbrëmje shoqërore pa asnjë protokoll. Kuptohet, nderin më të madh ua bëmë atyre që na dhanë shkak për t’ u mbledhur, kinestëve miq. Këta, shumë të gëzuar, që po takoheshim, pasi çokitëm gotat e pijes, u ngritën që të përgatitnin aparatet për të na shfaqur filmin. Gjer këtu çdo gjë po shkonte për bukuri, bisedonim e bënim shaka me njëri- tjetrin.
Ndërkaq shoh Savo Zllatiçin të ngrihet i vrerët, sikur t’ i kishte ngrënë gomari bukën, i erdhi një herë rrotull tavolinës ku rrinte Koçi Xoxe, u afrua te Hysniu, u bë gati t’ i thoshte diçka,por si duket ndërroi mendje, i bëri një shenjë Gjergjias dhe të dy erdhën drejt e tek unë.
-Do të uleni këtu?- u thashë pa të keq dhe u bëra vend.- Uluni!
-Jo, po ikim!- tha Savo Zllatiçi. Pashë me habi se ishte skuqur i tëri e shtrëngonte nofullat.
-Pse?- e pyeta.- Keni ndonjë hall?! Mos nuk jeni mirë?
-Nesër mbasdite, e shumta pasnesër largohem për në Beograd,- më tha prerë Zllatiçi.- Por para se të nisem duhet të më takoni me dy shokë të Komitetit tuaj Qendror për t’ ju transmetuar vërejtjet tona.
Nga tensioni e zemërimi si fliste, ishte e kotë t’ i kërkoje të më sqaronte se ç’ qe ky breshër që e kishte zënë.
-Me cilët do të kishit dëshirë të takoheshit?- e pyeta.
-S’ ka më vend për asnjë preferencë!- u përgjigj egër e me cinizëm.- Me kë të jetë.[x]
Të nesërmen, në 19 prill, Zllatiç, në takimin e kërkuar prej tij tha:
Me ju nuk mund të bashkëpunohet më. Pas kësaj ofeze gjenerali Kupreshanin dhe gjithë ushtarakët jugosllavë s’ kanë më vend në Shqipëri; marrëveshjet ekonomike do t’ i rishikojmë, çdo gjë do ta rishikojmë.[xi]
Pra, ajo që ka ndodhur është se, në 18 prill 1948, Jugosllavia pret në mënyrë të njëanshme marrëdhëniet partiake me Shqipërinë, çka do të thotë se marrin fund edhe të gjitha projektet jugosllave për bashkimin e dy vendeve, të cilat qenë ndërtuar mbi bazë ideologjike. Me largimin e të dërguarit partiak jugosllav, filloi dhe largimi nga Shqipëria i specialistëve jugosllavë. Kështu, bëhet e qartë, me ato që shkruan vetë Hoxha, se prishja mes dy vendeve nuk u bë nga Shqipëria, pas letrës sovjetike, por nga Jugosllavia, e cila veproi kështu për arsye që i kam shpjeguar më lart në këtë libër. Jugosllavët sigurisht që e kishin vendosur largimin nga Shqipëria që para kësaj mbrëmjeje, por të të dërguarit e tyre në Shqipëri qenë udhëzuar nga Beogradi që të gjenin si pretekst një ngjarje që të krijonte përshtypjen se sovjetikët kërkonin që ta bënin Shqipërinë satelitin e tyre ekskluziv dhe për këtë i nxisnin shqiptarët kundër jugosllavëve. Prandaj zgjodhën pikërisht pritjen për të cilën flet Hoxha. Jugosllavët sigurisht që nuk kishin të drejtë në pretendimin e tyre se qenë fyer nga shqiptarët për shkak se në pritje qenë ftuar ushtarakët sovjetikë të cilët qenë në Shqipëri dhe jo ata jugosllavë. Por nuk kishte kuptim që të ftoheshin ushtarakët jugosllavë në një pritje që jepej për nder të sovjetikëve, kur dihej se specialistët ushtarakë sovjetikë qenë larguar nga Jugosllavia para një muaji. Madje kishte shumë të ngjarë që jugosllavët të kishin marrë si provokacion qëllimkeq ftuarjen e ushtarakëve të tyre në një pritje të dhënë për nder të sovjetikëve, ku qenë dhe ushtarakë sovjetikë. Pala shqiptare i nderoi jugosllavët duke ftuar në pritje përfaqësuesit e tyre më të lartë në Shqipëri. Që incidenti ishte paramenduar nga jugosllavët, kjo kuptohet nga fjalët që tha Zllatiçi të nesërmen, në takimin që kërkoi, dhe që i kam cituar më lart. Hoxha, në kujtimet e veta, shkruan në stilin katekist të Stalinit, duke bërë pyetje të cilave u përgjigjet vetë:
Atëherë përse ata ikën? Sepse me siguri u vunë në dijeni nga Xoxja vetëm për një fakt: në duart tona kishte ardhur letra e Stalinit.[xii]
Të analizosh mendimet e një komediani-politikan është njëkohësisht fat dhe fatkeqësi. Fat sepse ai zbulon shumë gjëra vetë me një sinqeritet sui generis, fatkeqësi sepse arsyetimi i tij është absurd. Në rastin konkret, a nuk është vetë Hoxha që ka thënë më lart se në mbledhjen e Byrosë Politike ai dhe të tjerët nuk u prononcuan për letrën sovjetike, qartësisht duke pritur qëndrimin e jugosllavëve? Këta të fundit nuk mund të prisnin qëndrim më të favorshëm nga udhëheqësit shqiptarë, të cilët kur shikonin një rrezik të përbashkët kishin një unitet të jashtëzakonshëm, prej njerëzish të rrëmbyer nga tmerri. Arsyeja për të cilën jugosllavët u larguan në 18 prill ishte se në Beograd ishte vendosur tashmë që Shqipëria do të braktisej, në mënyrë që të mos i jepnin Moskës asnjë shkak që të ndërmerrte veprime kundër Jugosllavisë. Në Beograd me sa dukej ishte planifikuar që në fillim t’ u shkëputej shqiptarëve një dokument me vlerë propagandistike ku në njëfarë mënyre të shprehej vullneti i tyre për bashkimin mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe pastaj të gjendej rasti për të sajuar një incident ku të qenë të implikuar sovjetikët, në mënyrë që t’ u shërbente si pretekst për t’ u larguar nga Shqipëria i dërguari i tyre politik, Zllatiç, si dhe specialistët jugosllavë, çka shënonte një hap konsistent në braktisjen e Shqipërisë prej jugosllavëve. Derisa në 10 prill jugosllavët nuk e morën dot nga udhëheqja shqiptare dokumentin që kërkonin, atëherë mbetej që të sajonin incidentin për t’ u larguar. Këtë rast e gjetën tetë ditë më pas në pritjen për kineastët sovjetikë. Sigurisht që ata eksploituan rastin më të parë. Fakti që pritja ishte një ditë pasi në Byronë Politike shqiptare u lexua letra sovjetike, u ka konvenuar jugosllavëve për të plotësuar konotacionin e ngjarjes, pra jugosllavët mendonin se kështu krijohej përshtypja se kishin qenë sovjetikët ata që i kishin nxitur shqiptarët të vepronin ashtu si vepruan atë mbrëmje dhe në gjithë këtë histori, gjë që në fakt nuk ishte e vërtetë.
Hoxha, në kujtimet e veta të shkruara 34 vjet pas këtyre ngjarjeve, thotë një gjë shumë domethënëse për reagimin e tij dhe të udhëheqjes shqiptare ndaj largimit të jugosllavëve:
Për të qenë të drejtë e korrektë gjer në fund, menjëherë pas marrëzisë që bënë Kupreshanini e Zllatiçi, ne i dërguam një letër tjetër Titos ku i shprehnim habinë dhe indinjatën tonë për largimin e tyre pa asnjë shkak nga ana jonë.[xiii]
Me të vërtetë kolaboracionistë të devotshëm projugosllavë! Hoxha thotë: «të drejtë e korrektë gjer në fund». Si kolaboracionistë të jugosllavëve kuptohet! Me fjalët e mësipërme Hoxha pohon se Shqipëria shpëtoi nga aneksimi prej Jugosllavisë se hoqën dorë jugosllavët dhe u larguan nga vendi, jo se u dëbuan nga udhëheqja shqiptare. Udhëheqja shqiptare ishte gati që edhe në këto momente të pranonte bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, çka del nga ajo që thotë Hoxha më lart, se ai dhe politbyroistët e tij nuk u dhanë asnjë shkak jugosllavëve për t’ u larguar në atë mënyrë, me kushte që përgjegjësinë për këtë veprim ta merrte Beogradi me një kërkesë formale. Largimi në atë mënyrë i Zllatiçit i alarmoi Hoxhën dhe Xoxen, për pasojat që mund të kishin pas kësaj. Prandaj ata i çuan Titos letrën që përmend Hoxha. Madje shpejt pas kësaj Titos iu nis dhe një letër e dytë, e firmuar nga Hoxha, me po këtë përmbajtje. Këto dy letra nuk i disponoj, por për faktin që ato janë nisur, si dhe për përmbajtjen e tyre, ka të dhëna tërthorazi si nga mbledhja e Byrosë Politike e datës 25 prill 1948, ku u diskutua për dy letrat e dërguara nga Tito, si përgjigje për letrat e Hoxhës, ashtu dhe nga vetë letrat e Titos ku perifrazohet përmbajtja e letrave të Hoxhës. Në mbledhjen e Byrosë Politike, të mbajtur në 25 prill 1948, Hoxha thotë:
Nga letrat që i kemi dërguar Mareshalit morëm përgjigjen.[xiv]
Për ditën e saktë se kur janë nisur këto letra, kemi një të dhënë të tërthortë të Hoxhës:
Titoja na u përgjigj brenda dy ditësh.[xv]
Këtë herë, ndryshe nga ç’ ndodhi në mars, Tito u përgjigj, madje shumë shpejt. Madje Tito çoi dy letra në të njëjtën ditë, duke iu përgjigjur edhe letrës së dytë të Hoxhës, të cilën e mori po në 22 prill. Kjo do të thotë se letra e parë e Hoxhës është nisur në 20 prill dhe e dyta, e shumta të nesërmen, në 21 prill. Nga ato që thotë vetë Hoxha për letrën e parë, kuptohet se ajo dhe e dyta përmbajnë shprehje besnikërie ndaj Titos, si dhe sigurime se marrëdhëniet mes dy vendeve po ftohen si rezultat i disa keqkuptimeve të shkaktuara nga të dërguarit jugosllavë në Shqipëri. Në letrën e parë të Titos, e cila është përgjigje e letrës së parë të Hoxhës, thuhet:
Kam marrë letrën Tuaj dhe mund t’ Ju përgjigjem si më poshtë. KQ i PKJ ka arritur në mendimin e njëzëshëm se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona kanë filluar, në kohët e fundit, të keqësohen, ashtu si vitin e kaluar. Shkaku i këtij keqësimi në asnjë mënyrë nuk mund të jenë disa vërejtje që u ka bërë gjeneral Kupreshanini, në mënyrë zyrtare, udhëheqësve Tuaj kundër sjelljes së padrejtë ndaj nënshtetasve tanë në Shqipëri. Shkaku qëndron më thellë dhe ne shikojmë se incidente të tilla të shumta mundet vetëm të shërbejnë për të mbetur të maskuara arsyet më të thella.[xvi]
Tash synimi kryesor i Titos ishte që të gjente prova për të fajësuar Bashkimin Sovjetik për politikë antijugosllave. Prandaj Tito, pasi udhëheqja jugosllave kishte vendosur që t’ u jepte fund ambicjeve të saj në drejtim të Shqipërisë, në letrën e tij aludonte se udhëheqja shqiptare qe nxitur nga Moska që të bënte politikë antijugosllave. Tito në letrën e 22 prillit 1948 shkruante më tutje:
Cili është shkaku, simbas mendimit tonë. E para, mungesa e besimit të duhur nga ana Juaj në sinqeritetin e mendimeve tona kundrejt Shqipërisë.[xvii]
Tito nuk po tregohej aspak i drejtë me kolaboracionistët e tij shqiptarë. Nëse mund të flitej për mungesë besimi, kjo ishte e vërtetë vetëm në sensin që udhëheqësit shqiptarë dyshonin se Titoja do ta merrte përsipër përgjegjësinë, duke i shpëtuar nga pasojat, në rast se ata, sipas kërkesës së tij verbale, i kërkonin Beogradit zyrtarisht bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, dhe kjo gjë kundërshtohej nga Moska. Në këtë pikëpamje ata kishin treguar vërtet një mosbesim absolut tek Tito. Prandaj, ata thjesht i kishin kërkuar Titos që t’ u bënte një kërkesë zyrtare, që për ta ishte urdhër, për bashkimin e dy vendeve, në mënyrë që nesër të mos kishin pasoja nëse Moska e kundërshtonte këtë gjë. Sa për atë nëse udhëheqësit shqiptarë kishin apo jo besim tek jugosllavët, sa u përket sinqeritetit të synimeve të tyre ndaj Shqipërisë, këtë Tito e kishte të qartë sa s’ kishte ku të vinte më. Udhëheqësit shqiptarë, me Hoxhën në krye qenë të vetëdijshëm se po ia dorëzonin Shqipërinë Jugosllavisë, që ta aneksonte në një mënyrë të tillë, dhe me pasoja aq të rënda, para të cilave nuk qe asgjë pushtimi italian dhe gjerman, kundër të cilit udhëheqësit shqiptarë mburreshin se kishin luftuar dhe e kishin çliruar vendin. Tito duket se ende mendonte se mund të ruante megjithatë marrëdhënie të afërta me Shqipërinë. Ai, në letrën e parë të 22 prillit, shkruan:
neve na duhet, në qoftë se dëshirojmë me të vërtetë një afrim, të rishqyrtojmë bashkëpunimin tonë të mbarë, dhe ta vemë atë në një bazë të atillë që do t’ i përgjigjet etapës aktuale dhe rrethanave ndërkombëtare.[xviii]
Tito përsëri shprehet në terma evazive, pra saktësuar se për çfarë e kishte fjalën. Nga këto që shkruante, kuptohet se tashmë nuk bëhet më fjalë për bashkimin federal mes dy vendeve dhe për gjërat e tjera të këtij lloji, por për çfarë qe fjala? Nga ato që shkruan Tito kuptohet se as ai vetë nuk kishte një ide të qartë për atë që kërkonte. Tito duket se kërkonte që midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë të vazhdonin marrëdhëniet e afërta si deri tash, por pa u formalizuar në marrëveshje të reja, çka do të sillte implikime në marrëdhëniet jugosllavo-sovjetike. Gjuha evazive e Titos e shqetësonte shumë udhëheqjen shqiptare, se prej saj kuptohej presioni sovjetik mbi Jugosllavinë, dhe pasojat e paparashikuara që mund të vinin prej tij. Në fakt kishte qenë gjuha evazive e Beogradit ajo që kishte sjellë mosbesimin e udhëheqjes shqiptare ndaj tij, që prej shkurtit dhe sidomos në mars. Pasi Tito i adresohet në terma evazive Hoxhës për atë që kërkon prej tij dhe udhëheqjes shqiptare, ai i thotë:
Zllatiçi na ka informuar për të gjitha dhe tani presim vendimet Tuaja përsa i përket propozimeve tona.[xix]
Tito këtu e ka fjalën për bisedën e datës 10 prill, ku Zllatiçi u tha Hoxhës dhe Xoxes se duhej vepruar për zbatimin e protokollit të vitit 1946, për krijimin e organeve të përbashkëta ekonomike. Tito këtu përsëri po kërkonte që udhëheqja shqiptare t’ i drejtohej asaj jugosllave me shkrim, për propozime që kjo e fundit i kishte bërë verbalisht, gjë që Hoxha e kishte kundërshtuar që në 10 prill në bisedën me Zllatiç. Kjo nuk mund të shkaktonte tjetër veç indinjatës së shërbëtorëve ndaj padronit. Nëse Tito donte që propozimi i tij i 10 prillit të pranohej, ai duhet ta bënte atë me shkrim dhe udhëheqësit shqiptarë qenë gati të bënin atë që u thuhej. Tito shkruan në letrën e tij duke iu referuar Zllatiçit:
Gjithashtu ai na ka informuar për disa gjëra të tjera që na bëjnë të shqetësohemi, sepse flasin për diçka që nuk është në rregull dhe që duhet të zgjidhet sa më shpejt e në çdo mënyrë.[xx]
Tito ishte i përsëri evaziv, por kuptohej se ai e kishte fjalën për letrën e Stalinit për Titon, një kopje e së cilës tashmë i kishte shkuar Hoxhës. Fakti që Tito edhe për këtë çështje kaq delikate fliste në gjuhë të mjegullt, i shqetësonte shumë udhëheqësit shqiptarë. Ata pyesnin veten se çfarë, në të vërtetë kërkonte Tito prej tyre, në lidhje me letrën e Stalinit? Pse Tito nuk u çonte një kopje të përgjigjes që i kishte kthyer udhëheqja jugosllave letrës sovjetike, në rast se i kishte kthyer përgjigje? Mos ndoshta Tito kërkonte që udhëheqja shqiptare t’ u shprehte kundërshtimin sovjetikëve për letrën që i kishin bërë udhëheqjes jugosllave, para se këtë gjë ta bënte kjo e fundit? Hoxha dhe udhëheqja shqiptare nuk donin që të dëgjonin asgjë për letrën sovjetike, para se për të të shprehej udhëheqja jugosllave. Tito në letrën e parë të 22 prillit njoftonte dhe prerjen e marrëdhënieve ushtarake mes dy vendeve:
Ne kemi vendosur që të tërheqim gjeneral Kupreshanin me njerëzit e tij që kanë pasë ardhur atje dhe, vetëkuptohet se me këtë bie poshtë subvencionimi i ushtrisë Suaj për llogari të buxhetit tonë ushtarak, por jemi gati t’ i zgjidhim këto çështje në një mënyrë tjetër, qoftë me një marrëveshje në formë kredie ose në një mënyrë të ngjashme. Edhe për disa çështje të tjera ne mendojmë se duhet t’ i zgjidhim në këtë mënyrë.[xxi]
Sigurisht që Shqipëria nuk mund të përballonte zëvendësimin e subvecionit, që në fakt nuk kishte ardhur ende, me një kredi, kur Hoxha e kishte bërë të qartë në letrën e tij për Titon në fund të vitit 1946 se vendi nuk mund t’ i përballonte shpenzimet e larta ushtarake. Oferta për kredi, të cilën për më tepër jugosllavët nuk qenë në gjendje ta jepnin, ishte një eufemizëm për atë që në fakt ishte ndërprerje e marrëdhënieve ushtarake, dhe ky eufemizëm vlente thjesht për t’ u përdorur si ekspedient propagandistik më vonë në debatin mes dy palëve. Me vlerën e ekspedientit propagandistik për të ardhmen është edhe letra e dytë e Titos, e datës 22 prill, ku thuhet:
Mbi Ju dhe mbi ne bie përgjegjësia historike për marrëdhëniet sa më të shumta dhe për bashkëpunim vëllazëror ndërmjet popujve tanë. Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe nga kjo del se duhet të ndërmarrim gjithçka për të kapërcyer gjërat që mundet të pengojnë një miqësi të tillë dhe një bashkëpunim të tillë. Duhet të kemi guximin të njohim praninë e shkaqeve për përkeqësimin e marrëdhënieve, kurse një nga shkaqet kryesore është, siç është përmendur më lart, një farë mosbesimi kundrejt nesh nga ana e një pjese të udhëheqësve shqiptarë. Pa një besim s’ është i mundur një bashkëpunim konstruktiv midis nesh, prandaj duhet ta kapërcejmë këtë mosbesim.[xxii]
Është e qartë se për Titon tashmë Shqipëria ka vlerë në aspektin propagandistik dhe jo në atë konkret të deritashëm. Fjalë të tilla, dhe të tjera të ngjashme me to në dy letrat e Hoxhës kishin çelur debatin që do ta vazhdonin publikisht makineritë e propagandës së dy vendeve, debat që do të vazhdonte me dekada, dhe ku të dy palët do të betoheshin për qëllimet e mira që kishin pasur ndaj njëra tjetrës. Të nesërmen e arritjes së letrave të Titos në Tiranë sovjetikët bënë një veprim që dukej se ishte llogaritur për të eliminuar pretendimin e Beogradit se kishte diversion sovjetik në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Në 23 prill 1948, pesë ditë pasi jugosllavët u larguan nga Shqipëria, direkt e nga pritja e dhënë për sovjetikët, Moska i komunikoi Tiranës me anë të ministrit fuqiplotë sovjetik në Tiranë, Dimitri Çuvahin, se kishte vendosur largimin e specialistëve sovjetikë nga Shqipëria.[xxiii]Ky zhvillim krijonte një situatë të papritur për regjimin, kur ai ishte i braktisur njëkohësisht nga jugosllavët dhe sovjetikët. Në këtë situatë, në 25 prill 1948, mbahet mbledhja e Byrosë Politike ku lexohen dy letrat që Tito kishte dërguar tre ditë më parë. Në mbledhje zhvillohet ky dialog mes Hoxhës dhe Xoxes:
Enver Hoxha: Unë nuk jam dakord me pikëpamjet e Mareshalit. Jam dakord për atë që ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që ne të arrijmë një bashkëpunim të shëndoshë dhe që përgjegjësia na bie të dy palëve. Jam dakord edhe për atë që thuhet se Partia Jugosllave dhe popujt e Jugosllavisë kanë besim te populli ynë, kurse për të tjerat nuk jam dakord.
Koçi Xoxe: Me ato është dakord e gjithë Byroja.
Enver Hoxha: Unë mendoj se Mareshali këto çështje me kaq rëndësi nuk i ka studiuar realisht dhe nuk ka të drejtë... Unë mendoj se Mareshali, kur thotë se të gjitha këto janë pretekste për të maskuar arsyet e thella, kjo nuk është për ne, por për ata vetë. Mosbesimin nuk e pranoj, pse nuk është.[xxiv]
Këtu konflikti mes Hoxhës dhe Xoxes është ai mes dy kolaboracionistësh projugosllavë. Hoxha, duke e ditur se akuza për mosbesim i adresohet në radhë të parë atij, kërkon të thotë se ai ka qenë gati të përmbushë të gjitha kërkesat e jugosllavëve, por janë këta që në muajt e fundit kanë ardhur duke u bërë të paqartë në kërkesat e tyre. Hoxha aludon se arsyet e thella në qëndrimin e jugosllavëve dhe që maskohen me akuzën për mosbesim, kanë të bëjnë me konfliktin sovjeto-jugosllav. Xoxe, i cili që nga janari ka vepruar në unison me Hoxhën, në marrëdhëniet me jugosllavët, reagon sipas parimit se: padroni ka gjithmonë të drejtë, do të thotë se duhet të pranojnë pikëpamjen e jugosllavëve. Siç thotë Xoxe, edhe pjesa tjetër e Byrosë Politike është e këtij mendimi. Kështu, i gjithë rezultati i njohjes nga ana e udhëheqjes shqiptare me letrën sovjetike për udhëheqjen jugosllave, ishte pra se Hoxha u shpreh hapur në Byronë Politike se jugosllavët nuk kishin të drejtë që nuk ua kërkonin zyrtarisht aneksimin e Shqipërisë, në mënyrë që ai dhe udhëheqja shqiptare ta pranonin pa hezitim.
Por, kur Hoxha dhe Xoxe hartuan përgjigjen për Titon, Xoxe u bashkua me qëndrimin e Hoxhës, se, si duket ky i fundit i ka bërë të ditur se, sipas pikëpamjes së Titos, tashmë «fraksioni në kokë të partisë», siç e quajti Xoxe atë të Spirut, del të jenë ata të dy, Hoxha dhe Xoxe. Kështu që në letrën me të cilën Hoxha i ktheu përgjigje Titos thuhet:
Kemi marrë dy letrat tuaja më datë 22 prill 1948 dhe me anën e kësaj letre po ju dërgojmë mendimin unanim të Politbyrosë të Komitetit Central të Partisë sonë Komuniste. Byroja Politike e KC të PKSH nuk pajtohet me pikëpamjet dhe konkluzionet e arritura nga KC i PKJ se marrëdhëniet në mes dy vendeve tona kanë filluar në kohët e fundit të keqësohen për fajin tonë.[xxv]
Më tutje, Hoxha i ankohet Titos si një kolaboracionist i zellshëm por i fyer dhe i braktisur nga padroni:
Për ne vihet pyetja: përse gjeneral Kupreshanini, duke vënë përpara disa arsye që ju vetë nuk i gjeni të rëndësishme, të thotë se nuk mund të bashkëpunohet më në ushtri? Përse shoku Zllatiç në mënyrë aspak miqësore të deklarojë zyrtarisht se ne kishim ofenduar Jugosllavinë, Ushtrinë Jugosllave etj, pse në një mbrëmje intime nuk ishin ftuar specialistë dhe oficerë jugosllavë, kur ishin ftuar specialistë dhe oficerë sovjetikë, thënie dhe akuza që s’ kishin asnjë bazë? Përse, në një kohë që nuk ishte vërtetuar asnjë keqkuptim në marrëdhëniet tona, të krijohen përnjëherësh dhe simultaneisht situata të tilla prej përfaqësuesve jugosllavë?.[xxvi]
Shkurt Hoxha i thotë udhëheqjes jugosllave se ata deshën ta braktisin Shqipërinë për arsye që i dinë vetë, dhe se u konvenon që për këtë të bëjnë përgjegjës shqiptarët, por kjo nuk është e drejtë. Ato që thotë Hoxha më poshtë në letrën e tij për Titon, përgënjeshtrojnë gjithçka ai do të thoshte më pas, për qëndrimin e tij në këtë kohë:
akuzohemi në letrën tuaj se arsyet e thella të keqësimit të këtyre marrëdhënieve të mund të kenë si shkak «disa vrejtje që i ka dhënë gjeneral Kupreshanini në mënyrë zyrtare pranë udhëheqësve tuaj kundër sjelljes së padrejtë karshi nënshtetasve tanë në Shqipëri», por sipas mendimit të KC të PKJ këto arsye janë më të thella dhe qëndrojnë në mungesën e besimit të duhur nga ana jonë në sinqeritetin e mejtimeve tuaja karshi Shqipërisë. Mendimi ynë është se çdo gjë vërteton të kundërtën e asaj që akuzohemi. Partia jonë, qeveria jonë, populli ynë unanimisht që të tre kanë një besim shumë të madh dhe të patundur te popujt e Jugosllavisë së re, te Partia Jugosllave... Me bindjen dhe me besimin më të madh Partia jonë i pranoi pikëpamjet tuaja për vendosjen e marrëdhënieve të rregullta mes dy vendeve tona. As më i vogli objeksion nuk u bë nga ana jonë. Partia jonë pranoi me bindjen dhe me besimin më të madh të gjitha format, pikëpamjet, këshillimet etj., tuaja se si këto marrëveshje të zbatoheshin.[xxvii]
Me të vërtetë një kolaboracionizëm luajal projugosllav! Duke vazhduar t’ i numërojë Titos të gjitha aktet e luajalitetit, Hoxha i shkruan:
Keni propozuar, herën e fundit që ne kemi qenë në Beograd, për çështjen e unifikimit të ushtrive tona, për buxhetin e përbashkët etj. Pa asnjë diskutim ne e kemi pranuar pikëpamjen tuja dhe përnjëherësh e kemi pasë vënë në zbatim.[xxviii]
Kolaboracionistët shqiptarë të pushtuesve gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilët Hoxha do t’ i shante me të madhe gjatë gjithë jetës, i bënë veprimet e tyre në kohën që vendi ishte pushtuar nga ushtri të huaja, pra në kushte shumë më të rënda se ato në të cilat gjendej Hoxha dhe pjesa tjetër e udhëheqjes shqiptare. Madje Hoxha, edhe tash që jugosllavët e kishin braktisur Shqipërinë, u kërkonte këtyre që të ktheheshin në vend dhe të merreshin vesh që Shqipëria t’ i aneksohej Jugosllavisë. Hoxha e përfundon letrën duke thënë:
Marrëdhëniet tona me popujt e Jugosllavisë dhe me Partinë motër jugosllave janë të shenjta për udhëheqjen tonë. Për këto marrëdhënie kemi luftuar dhe do të luftojmë, që të jenë më të forta, më vëllazërore. Ne jemi gati të rishqyrtojmë të gjitha punët tona të përbashkëta dhe atje ku s’ janë drejt i vemë drejt, atje ku ka gabime t’ i ndreqim dhe marrëdhëniet tona të ecin kurdoherë përpara, për lumturinë e popujve tanë.[xxix]
Hoxha mendonte se udhëheqja jugosllave do t’ i nënshtrohej presionit të Moskës, dhe kjo e fundit do ta shpërblente duke i dhënë mandatin mbi Shqipërinë, prandaj gjykonin se ishte në të mirën e tij që të vazhdonte të tregonte devotshmëri ndaj Jugosllavisë. Hoxha priste të shikonte se si do të shkonin gjërat kur me këtë çështje të merrej Byroja Informative, në mbledhjen e saj të paralajmëruar, për në fund të qershorit. Katër ditë para mbledhjes së Byrosë Informative, në 24 qershor 1948, Bashkimi Sovjetik thirri në Varshavë një konferencë të ministrave të Punëve të Jashtëm të vendeve të ashtuquajtura «demokraci popullore», ku do të diskutohej për çështjen gjermane. Në këtë konferencë u ftua edhe Shqipëria, por atje ishte e ftuar edhe Jugosllavia. Në këtë konferencë shkoi Hoxha si përfaqësues i Shqipërisë, një fakt që ai e «harron» në kujtimet e veta, edhe pse gjatë kësaj konference pati një takim prej 30 minutash me Molotovin.[xxx]Arsyeja për të cilën u thirr Konferenca e Varshavës ishte se tre fuqitë e mëdha aleate perëndimore, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, njoftuan se në 24 qershor 1948 do të vinin në qarkullim një monedhë të re në pjesën e Gjermanisë të kontrolluar prej tyre, çka u interepretua nga Moska si ndarje e Gjermanisë, dhe vazhdim i politikës së ndarjes së Europës në blloqe. Në 24 qershor 1948, ditën që Hoxha takohej me Molotovin në Varshavë, sovjetikët do të fillonin bllokadën e Berlinit, me çka donin që të shënonin zonën e tyre të influencës. Bllokada e Berlinit, e cila i tensionoi shumë marrëdhëniet mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit, e shqetësoi shumë Hoxhën, se nëse SHBA dhe aleatët e saj do të braktisnin Berlinin Perëndimor, çka dukej të ishte qëllimi i sovjetikëve, atëherë dukej e sigurt një ndërhyrje ushtarake perëndimore në Shqipëri, e cila ishte i vetmi vend komunist jashtë rrezes së mbrojtjes sovjetike. Shqipëria nuk ishte ftuar që të merrte pjesë në mbledhjen e Byrosë Informative, që do të mbahej katër ditë pas takimit të Hoxhës me Molotovin, në 28 qershor, në Bukuresht, dhe ftesat për të cilën qenë bërë në maj. Tashmë që jugosllavët kishin refuzuar që në maj ftesën për të marrë pjesë në mbledhjen qëllimi i së cilës ishte dënimi i udhëheqjes jugosllave, ishte dashur që nëse qenë ata pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në Byronë Informatike, Moska t’ i sugjeronte Tiranës që kjo të bënte kërkesë për t’ u pranuar në Byronë Informative dhe në mbledhjen e qershorit Shqipëria të ishte e pranishme. Por nuk ndodhi kështu, çka tregonte se sovjetikët vazhdonin të mbanin distancë ndaj Shqipërisë.
2.
Tablo shekspiriane: Enver Hoxha dhe Vishinski në pallatin mbretëror rumun
Të nesërmen e daljes së rezolutës së Byrosë Informative kundër Partisë Komuniste të Jugosllavisë, udhëheqja shqiptare e kapërceu «Rubikonin», duke dalë me një komunikatë në emër të Komitetit Qendror të PKSH, ku mbështetej rezoluta e Byrosë Informative. Në ditët në vijim regjimi bëri disa gjeste në frymën e rezolutës së Byrosë Informative. Në 1 korrik 1948, tre ditë pas daljes së rezolutës së Byrosë Informative kundër Jugosllavisë, qeveria shqiptare deklaroi si të pavlefshme marrëveshjet ekonomike, konventat dhe protokollet me Jugosllavinë. Gjithashtu qeveria shqiptare kërkoi që specialistët jugosllavë, të cilët kishin mbetur në Shqipëri, të largoheshin nga Shqipëria brenda 48 orësh. Por qeveria shqiptare nuk denoncoi Traktatin e Miqësisë dhe të Ndihmës Reciproke me Jugosllavinë, i cili përmbante edhe dispozita ushtarake, që e bënin Shqipërinë protektorat jugosllav. Atë traktat do ta denonconte më vonë Jugosllavia në 12 nëntor 1949. Në 2 korrik, katër ditë pas rezolutës së Byrosë Informative, edhe Xoxe bëri një gjest antijugosllav, duke arrestuar Nuri Hutën, drejtor i Drejtorisë së Agjitacionit dhe Propagandës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe ish-shef i Misionit të Shqipërisë në Beograd, në vitin 1945. Nuri Huta kishte qenë njeriu i Xoxes.
Unanimiteti i qëndrimit të udhëheqjes shqiptare shpjegohet me atë se Jugosllavia tashmë e kishte braktisur Shqipërinë. Udhëheqja komuniste shqiptare nuk shikonte alternativë tjetër veçse të kthehej kah Bashkimi Sovjetik. E vërteta është se Hoxha dhe udhëheqja shqiptare në atë kohë kishin mundësi të ndiqnin në mënyrë të pavarur nga Tito, të njëjtën politikë si Tito, të afrimit me Perëndimin. Për këtë gjë ka pasur një debat më pas, ku janë dhënë argumente se përse Hoxha nuk mund ta bënte këtë gjë. Argumenti se këtë nuk do ta lejonte Bashkimi Sovjetik, kinse ai e konsideronte Shqipërinë si pjesë të zonës së vet të influencës, nuk qëndron se Bashkimi Sovjetik nuk bëri një traktat me Shqipërinë, sa qe gjallë Stalini, as para as pas prishjes së saj me Jugosllavinë. Kjo tregon se sovjetikët nuk e shikonin Shqipërinë si pjesë të bllokut të tyre, dhe si një vend për të cilin do të përdornin forcën që të mos e lejonin të afrohej me Perëndimin. Aq më tepër kur Shqipëria nuk kërcënohej drejtpërdrejt nga Bashkimi Sovjetik, nuk kufizohej me vendet satelite sovjetike.
Argumenti se edhe sikur këtë gjë ta donte Hoxha nuk e donte Perëndimi, nuk qëndron. Hoxha nuk e provoi fare këtë gjë. Ai mund të kishte ndërmarrë një politikë hapjeje të njëanshme ndaj Perëndimit duke rishikuar vendimin për kundërshtimin e Planit Marshall, dhe duke bërë gjeste të tjera hapjeje ndaj Perëndimit. Argumenti se kishte frikë nga Greqia nuk qëndron se Shqipëria nuk mori asnjë lloj mbrojtjeje formale nga Bashkimi Sovjetik pas prishjes me Jugosllavinë. Nëse Greqia sulmonte ushtarakisht Shqipërinë, Bashkimi Sovjetik nuk kishte asnjë detyrim të ndërhynte për ta mbrojtur, dhe nuk do të ndërhynte, po të konsiderohet çfarë u tha Stalini udhëheqësve jugosllavë në janar 1945, në Moskë. Por Shqipëria në atë kohë kishte dhe garancinë e SHBA se Greqia nuk do të lejohej që ta sulmonte ushtarakisht. Në 21 prill 1948, ambasadori sovjetik në Beograd, Lavrentiev, njoftoi Moskën se atë ditë e kishte vizituar zëvendësministri jugosllav i Punëve të Jashtme, Bebler, i cili e kishte njoftuar
për një vizitë që i kishte bërë ambasadori amerikan Kannon (Cannon) këtu e dy tri javë të shkuara. Ky i paskësh deklaruar Beblerit në emër të vet se, sipas mendimit të tij, qeveria e SHBA nuk do t’ i përkrahë ndofarë masash të qeverisë greke për ndryshimin e kufirit shqiptaro-grek me përdorimin e forcës. Mandje, nja pesë ditë më vonë, Kannoni i kishte bërë një tjetër vizitë Beblerit dhe i kishte deklaruar se ato që ia kishte thënë në emrin e vet personal, Bebleri mund t’ i deklaronte si një deklaratë zyrtare të SHBA.[xxxi]
Kuptohet se amerikanët kishin ardhur në dijeni të konfliktit sovjeto-jugosllav dhe donin që t’ i hiqnin Jugosllavisë frikën se në rast se shkëputej nga Bashkimi Sovjetik do të gjendej në luftë me Perëndimin për shkak të Greqisë. Amerikanët, duke e parë saktë Shqipërinë si një satelit jugosllav, mendonin se nëpërmjet Jugosllavisë do të arrinin të tërhiqnin dhe Shqipërinë. Ajo çka amerikanët duket se nuk e dinin ishte se tashmë jugosllavët kishin vendosur që ta braktisnin Shqipërinë, për të evituar çdo rrezik që mund të vinte nga Bashkimi Sovjetik nëpërmjet Bullgarisë. Gjithsesi amerikanët nuk do të kenë munguar që të njëjtin njoftim që i dhanë Beogradit për mosmbështetjen e aventurës greke në Shqipëri, çka do të thoshte se SHBA do ta frenonin Greqinë në këtë aventurë, t’ ia kenë dhënë edhe Shqipërisë me anë të Legatës së Francës në Tiranë, e cila ishte përfaqësia e vetme diplomatike perëndimore në Shqipëri, në atë kohë. Hoxha pra i kishte të gjitha mundësitë që të orientohej nga Perëndimi pas prillit të vitit 1948, kur Shqipëria u braktis nga jugosllavët. Me largimin e jugosllavëve në 18 prill 1948 u bë një transformim i menjëhershëm në pozitën e Hoxhës në udhëheqjen shqiptare. Hoxha fitoi saora një autoritet dhe pushtet të cilin nuk e kishte pasur kurrë deri më atëherë, ndërsa autoriteti dhe pushteti i Xoxes ra shumë. Tashmë rolet ndërrohen, është Hoxha ai që bëhet aktiv, energjik, ndërsa Xoxe bëhet inaktiv, apatik.
Në 10 korrik 1948 Hoxha, për herë të parë që nga koha kur kishte ardhur në fuqi, do të vizitonte një vendqendrim të ushtrisë, me vizitën që bëri në kazermat e garnizonit të Tiranës ku mbajti një fjalim para reparteve ushtarake të tij. Kjo në fakt ishte hera e parë që nga nëntori i vitit 1943, që Hoxha dilte dhe fliste para forcave ushtarake, po të përjashtohen paradat në Tiranë. Por, derisa në paradat në Tiranë Hoxha kishte në krah Xoxen, e veçanta e vizitës së Hoxhës në garnizonin e Tiranës në 10 korrik, ishte se këtë herë ishte ai i vetëm përballë ushtrisë. Deri më atëherë Hoxha nuk kishte guxuar ta bënte këtë gjë, se nuk donte t’ i krijonte përshtypjen Xoxes se ai donte ta përdorte ushtrinë në luftë politike mes tyre. Tashmë Hoxha duket se donte të krijonte pikërisht këtë përshtypje, pra se ushtria qe në anën e tij, në çdo situatë që do të krijohej.
Sipas të gjitha shenjave pra, Hoxha i pas 18 prillit 1948 kishte shumë më tepër impakt në vendimin e udhëheqjes për orientimin e vendit pas 18 prillit 1948. Por Hoxha nuk u orientuan nga Perëndimi në atë kohë se ai shikonte në këtë politikë një rrezik për pushtetin e vet personal. Ai mendonte se me hapjen e vendit nga Perëndimi do të humbte shpejt pushtetin. Për këtë arsye Hoxha dhe udhëheqja shqiptare zgjodhën që të kërkonin afrimin me Bashkimin Sovjetik, edhe pse uverturat në drejtim të Moskës nuk po merrnin përgjigjen e pritur. Stalinit i konvenonte që kundër Titos dhe Jugosllavisë të shprehej pikërisht udhëheqja e vendit të vogël, për të cilin Beogradi më së shumti mburrej se po e ndihmonte të zhvillohej, Shqipërisë. Prandaj, në verën e vitit 1948, pas mbledhjes së Byrosë Informative, Hoxha u ftua në takim në Bukuresht, nga një i dërguar i Stalinit:
Sovjetikët, duke e njohur më mirë e me kohë Titon, duke menduar se ne ndodheshim të izoluar gjeografikisht nga ata dhe të rrethuar me shtete armike, dëshironin të bisedonin sa më afër e më drejtpërdrejt me ne, për masat që duhej të merrnim në këto situate. Po ashtu, ata e ndjenin të nevojshme që të dëgjonin drejtpërdrejt e hollësisht fjalën e mendimet tona për konfliktin e gjatë që kishim pasur me udhëheqjen jugosllave. Këto do të shërbenin për analizat e mëtejshme që do t’ u bënte Informbyroja qëndrimeve dhe vijës antimarksiste të krerëve të Beogradit. Pikërisht për këtë arsye në verën e vitit 1948 u organizua një mbledhje në Bukuresht, ku merrnin pjesë Vishinski, George Georgiu Dezhi dhe unë.[xxxii]
Nëse Moska donte që, në situatën e re të krijuar, një zyrtar i lartë sovjetik të bisedonte nga afër me Hoxhën, atëherë më e thjeshtë do të ishte që Hoxha të shkonte në Moskë, ose që Vishinski të vinte në Tiranë, derisa të dy palët udhëhtuan me avion. Nga Bukureshti në Moskë, ku shkoi Hoxha, nuk ishte shumë larg, ndërsa nga Bukureshti, ku arriti Vishinski nga Moska, deri në Tiranë ishte shumë më afër se nga Moska në Bukuresht. Atëherë përse duhej ky takim inkonjito në Bukuresht? Kuptohet se sovjetikët nuk donin që të krijonin përshtypjen se ata qenë duke i përpunuar ideologjikisht udhëheqësit shqiptarë për t’ i shkëputur nga Jugosllavia dhe për t’ i tërhequr në kampin e tyre. Hoxha sigurisht që nuk mund t’ i kapte hollësitë e politikës së jashtme sovjetike në atë kohë. Ai shqetësohej për një arsye tjetër nga thirrja në Bukuresht, për të takuar Vishinskin, për arsye se e njihte mirë reputacionin e këtij të fundit. Hoxha kujton:
Të nesërmen do të vinte Vishinski nga Moska. Emri dhe personaliteti i Vishinskit ishte i madh për ne të gjithë dhe i dëgjuar për rolin e rëndësishëm që kishte luajtur ai si prokuror i përgjithshëm në gjyqet e Moskës kundër trockistëve, buharinistëve, djathtistëve dhe tradhtarëve të tjerë të Bashkimit Sovjetik. Gjatë luftës mua më kishte rënë në dorë një përkthim në frëngjisht i zhvillimit të gjyqeve të Moskës dhe kisha pasur mundësinë të studioja veprimtarinë keqbërëse dhe tradhtinë e këtyre armiqve të betuar të komunizmit.[xxxiii]
Vishinski në atë kohë ishte zëvendësministër i Punëve të Jashtme, por ishte gjithmonë prokurori i gjyqeve të mëdha politike. Përzgjedhja e tij për bisedime me Hoxhën nuk ishte ishte pa lidhje me të shkuarën e tij, kur më e arsyeshme ishte që në këtë takim të kishte ardhur ndonjë nga sekretarët e Komitetit Qendror të PKBS, si Suslovi, i cili kishte shoqëruar Zhdanovin në mbledhjen e fundit të Byrosë Informative. Hoxha dyshonte se edhe sovjetikët, për të cilët e dinte se nuk kishin besim tek ai, derisa ai ishte i përzgjedhuri i jugosllavëve, donin ta zëvendësonin me një njeri tjetër, të pëlqyeshëm prej tyre. Nuk ishte sekret se sovjetikët pëlqenin Shehun i cili ishte shkarkuar nga Komiteti Qendror në Plenumin VIII, ndërsa gruaja e tij ishte përjashtuar nga partia. Shehu ishte i vetmi njeri që kishte krijuar të tillë autoritet gjatë luftës, saqë mund ta zëvendësonte Hoxhën në krye të regjimit. Ardhja e Vishinskit mund të paralajmëronte çdo lloj skenari për të realizuar këtë lëvizje politike, një gjyq sekret në Bukuresht ku Hoxha do të dënohej me vdekje, dhe pastaj ekzekutimi i tij do të kamuflohej sikur u çua për t’ u kuruar në ndonjë klinikë në Bashkimin Sovjetik, ku më vonë do të thuhej se vdiq. Jo pak udhëheqësve të vendeve satelite sovjetike do t’ u ndodhte kështu. A do të dilte gjallë mbreti-mysafir nga Pallati mbretëror i huaj? A ka dyshuar Hoxha se mos e vrasin? Vendi se ku do të vendosej Hoxha në Bukuresht dhe ku do të mbahej mbledhja krijonte një tablo shekspiriane, ashtu siç thyhet në prizmin komunist:
Në automobil, Dezhi më tha që Vishinski do të vinte nesër dhe më tha se unë me gjithë Çuvahinin do të banonim në ish-pallatin e mbretit.
-E pësova si personazhet e përrallave të vëllezërve Grim, nga kasollja e fshatarit, në pallatin e mbretit!- i them Dezhit.[xxxiv]
Hoxha, i cili këtu i tregon erudicionin e vet Dezhit, një ish-punëtori rumun, mund të kishte thënë fare mirë se më tepër se përrallave të Vëllezërve Grim, e gjithë kjo ngjante me një tablo shekspiriane: Hoxha dhe Vishinski bujtës në pallatin mbretëror rumun! Në këtë mizanskenë duket ironia me frymëzim shkespirian e Stalinit. Hoxha ishte mbreti-mysafir në Pallatin mbretëror të huaj. Vishinski ishte «Macbethi» i jurisprudencës sovjetike. Të ishte mysafir në një Pallat mbretëror të zbrazur me Andrey Vishinskin, ishte njëlloj si të ishe vizitor në kështjellën e Drakulës, për të marrë këshilla prej tij. Hoxha, si një komedian i vërtetë, bën sikur proteston, edhe pse në Shqipëri selia e Komitetit Qendror ishte vendosur pikërisht në ish-Pallatin Mbretëror:
-Ju lutem mos më çoni atje, nuk më pëlqen, nuk është për mua ai vend, dëshiroj të vendosem në një apartament në mes të qytetit, në mes të popullit, se nuk më njeh njeri dhe s’ ka asnjë rrezik për mua.
-Jo,- tha Dezhi,- atje do të rrish se u turpëruam dje me ty që të lamë jashtë qytetit, pastaj edhe mbledhja atje do të bëhet, janë të gjitha komoditetet.
Protestova përsëri dhe i thashë:
-Për mua ishte nder i madh që ndejta në atë familje të thjeshtë dhe simpatike dhe nuk keni pse të turproheni.
Megjithatë desha s’ desha, duhej të shkoja.[xxxv]
Është ironi e madhe që Hoxha, pasi flet me përbuzje për Titon që jetonte në Pallatin Mbretëror në Beograd, kur shkon në Bukuresht për të biseduar me të dërguarin sovjetik, për fajet e Titos, vendoset në pallatin mbretëror, ku edhe zhvillohet mbledhja! Hoxha rrëfen kështu për qëndrimin në pallatin mbretëror:
Pasi hëngrëm darkë me Dezhin në «rezidencën» tonë të re, ai, midis të tjerash, na tregoi se si e detyruan mbretin Mihael të abdikonte.[xxxvi]
A e kuptonte Hoxha ironinë e situatës kur shkruante këto gjëra në kujtimet e veta, apo thjesht nuk e mposhtte dot natyrën e vet prej komediani. Ja tek qenë këta njerëz që pretendonin se qenë udhëheqës të popullit, duke ndenjur e bërë bankete në pallatin mbretëror, dhe talleshin me mbretërit të cilëve u kishin zënë vendin, si monarkë të kuq. Në atë takim në pallatin mbretëror rumun ishte aristokracia e re e komunizmit ndërkombëtar ajo që përçmonte aristokracinë e vjetër së cilës i kishte zënë vendin.
Hoxha që pret Vishinskin në pallatin mbretëror rumun është pikërisht Tarasi-Herman, i cili kërkon kombinimin e ri magjik të letrave fituese. Vishinski, i dërguari i Stalinit, e ka në dorë atë kombinim dhe mund t’ ia japë atë ose vdekjen. Hoxha është nervoz dhe dyshon se po e provojnë me gjithfarë gjërash. Ai rrëfen:
Dhoma ku flija komunikonte me një dhomë tjetër, nëpërmjet një dere. E hapa për ta parë dhe për t’ u siguruar çfarë kishte matanë. Ishte një dhomë e madhe bosh, krejt e zhveshur, vetëm në një qoshe ishte një tryezë, mbi të cilën ishte një libër i madh luksoz. I afrohem tryezës dhe shfletoj këtë libër me kapak si të artë. Ishte një album mbretëror! E gjithë dinastia e mbretërve, e mbretëreshave, e princërve rumunë ishte në të.[xxxvii]
Hoxha, të cilit fama e Vishinskit i ushqente paranojën, dyshoi se librin ia ka vënë KGB me porosi të Vishinskit për të parë se si do të reagonte. Dhe Hoxha reagoi kështu:
E marr albumin nën sqetull dhe trokas te dera e Çuvahinit.
-Të kam sjellë një libër,- i thashë atij,- se mund të mos kesh ç’ të lexosh që të zërë gjumi. Mbreti i Dezhit sahatet i mori me vete, por ka harruar këtë, shikoje dhe jepja nesër Dezhit t’ ia dërgojë me postë Mihaelit, se atij i duhet kurse neve nuk na shërben as për letër higjienike, se nuk është i përshtatshëm. Qeshëm me të madhe me Çuvahinin.[xxxviii]
Hoxha mendonte se ministri sovjetik në Tiranë, Çuvahin, i cili e shoqëronte në vizitën në Bukuresht, do ta raportonte në Moskë këtë gjest të tijin. Hoxha e përshkruan në mënyrë dramatike takimin me Vishinskin:
Ishim mbledhur në njërën nga sallat e pallatit ku banonim dhe pritnim Vishinskin. Më në fund ai erdhi. Isha i emocionuar pse për herë të parë e takoja. (Kur shkova në Moskë në korrik 1947, Vishinski nuk ndodhej në Bashkimin Sovjetik.) Ishte ashtu siç kisha dëgjuar, një burrë i gjallë, jo shumë i gjatë, me syze me rreth të zi, me sy të zinj të ndritur e të lëvizshëm.[xxxix]
Jo shumë i gjatë, thotë Hoxha për Vishinskin. Ky i fundit ishte më i shkurtër se Stalini i cili ishte vetëm 163 cm i gjatë. Në nanokracinë sovjetike Vishinski ishte një nga njerëzit më të shkurtër. Dy njerëzit më të frikshëm në terrorin e madh të vitit 1937, kishin qenë dy xhuxhët, Jezhovi dhe Vishinski. Vishinski nuk kishte qenë kurrë një ideolog, kështu që ngjan e habitshme ajo që thotë Hoxha se në takimin e Bukureshtit, Vishinski të ketë ardhur thjesht për të bërë gjyqin ideologjik të Titos:
Nëpërmjet analizës që i bëri veprimtarisë së fshehtë dhe të hapur të grupit renegat të Titos, Vishinski na zbërtheu me hollësi brendinë teorike dhe politike të letrave të Partisë Bolshevike drejtuar PKJ dhe Rezolucionin e mbledhjes së Byrosë Informative për këtë çështje të rëndësishme…Vishinski me stilin e tij të mprehtë, me argumentet dhe me qartësinë e çuditshme që e karakterizonte, na e sqaroi edhe më mirë brendinë e tyre si prokuror i vërtetë Bolshevik që ishte. Këtë herë të akuzuarit nuk i kishim përpara në bankë, por është fakt se procesi i tyre po bëhej dhe ishte një proces i drejtë, i bazuar, i argumentuar, një proces historik, drejtësinë e të cilit do ta vërtetonte katërcipërisht koha.[xl]
Nga ato që ndodhën më pas, më e besueshme duket që Vishniski të ketë shkuar për t’ i dhënë Hoxhës porosinë e Stalinit që pikërisht në Shqipëri të fillonte dënimi i titoistëve në udhëheqje dhe të bëhej i pari gjyq-spektakël ndaj njerëzve të Titos në Shqipëri. Vishinski duhet t’ i ketë thënë Hoxhës se nga mënyra se si do ta kryente këtë detyrë, do ta vlerësonte Stalini atë personalisht. Për Hoxhën kjo nuk ishte një gjë e re. Të njëjtën gjë ia kishte thënë Miladin Popoviç në 1942, kur do të bëhej spastrimi i partisë së porsakrijuar, pra se nga mënyra se si do të vepronte në këtë fushatë, do të vlerësohej prej Titos. Vishinski, si ekspert në këtë fushë, duhet t’ i ketë dhënë Hoxhës udhëzime se si mund të përgatitej një gjyq-spektakël i suksesshëm, ku të pandehurit pohonin fajet e tyrë dhe dënonin vetveten me deklarata vetëfajësuese. Meqënëse në letrat e udhëheqjes sovjetike për atë jugosllave kritikohej kjo e fundit për vënien e partisë nën kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, atëherë duhej që shënjestra të drejtohej këtu, pra tek Xoxe dhe ndonjë person pranë tij. Kjo gjë i konvenonte Hoxhës se Xoxen e shikonte si një rival të rrezikshëm. Sovjetikët megjithatë nuk donin një spastrim masiv në Shqipëri, as në udhëheqje, as më poshtë, se nuk donin që Tito ta përdorte për qëllime propagandistike. Pasi u vendos për spastrimin e ri, në pallatin mbretëror në Bukuresht, u shtrua një darkë mbretërore, për të cilën Hoxha kujton:
Pasi hëngrëm bukë, ku u ngritën dolli, Vishinski që ishte shumë i zgjuar dhe me humor të madh, bëri mjaft shaka.[xli]
Hoxha, i cili dikur ishte paraqitur në audiencë tek mbreti belg, si diplomat i monarkisë shqiptare, sjell në kujtimet e veta një histori që do t’ i tregonte Vishinski kur erdhi, mbi një takim që kishte pasur dikur me mbretin rumun:
ai na tregoi se si e kishte pritur në audiencë Mihaeli, se si Vishinski shkoi me xhaketë «me bisht», dhe si se mbreti e dekoroi dhe ai (Vishinski) e kishte marrë medaljen dhe e kishte vënë… nga mbrapa, në bishtin e xhaketës.[xlii]
Vishinski kishte qenë një aristokrat polak, i cili ishte bërë revolucionar për t’ u shndërruar në aristokrat sovjetik. Hoxha, i cili e kishte origjinën nga një familje klerikësh osmanë, ishte bërë një mbret absolut komunist. Tek të dy këta burra kishte diçka prej Tarasi-Herman dhe ata e kuptonin mirë njëri-tjetrin atje në atë darkë në pallatin mbretëror. Kishte vetëm një ndryshim midis tyre, Vishinski kishte qenë në burgjet e carit, kur kishte qenë një i ri revolucionar, ndërsa Hoxha nuk kishte kaluar asnjë ditë në burg në jetën e vet.
3.
Titoisti më madh bëhet antititoisti më i madh
Detyra që i kishte caktuar Stalini nuk ishte aspak e thjeshtë për Hoxhën. Nëse do të kërkohej të gjendeshin njerëzit ku qenë mbështetur më së shumti jugosllavët në Shqipëri për të bërë politikën e tyre, atëherë duhej parë si e implikuar e gjithë udhëheqja shqiptare, që nga Hoxha. Ky i fundit kishte qenë titoisti më i madh, duke thënë gjëra të tilla që i qenë dukur të ekzagjeruara edhe Xoxes. Tashmë Hoxha dhe Xoxe e kishin ndryshuar bashkërisht kursin, nga projugosllav në antijugosllav e prosovjetik. Xoxe në letrën që i çon nga burgu Komisionit të Posaçëm Hetimor, në 23 gusht 1949, thotë:
Unë kam konstatuar se në çdo bisedë ose masë që është marrë në këtë kohë nuk ka pasur asnjë lloj kundërshtimi… Për arsye të punimit të rezolucionit të Informbyrosë e të komunikatës të KQ tonit në Parti e në popull, për festën e 10 korrikut, për Kongresin e Lidhjes dhe për masat ekonomike që u morën në atë kohë, analiza rifilloi rreth 4-5 gushtit dhe mbaroi rreth 10-11 gushtit në Durrës. Unë me shokun Enver folëm në fund dhe ishim të një mendimi. Këtë e tregon qartë procesi i mbajtur atje.[xliii]
Hoxha, i mbështetur nga sovjetikët, veproi me dinakëri për të dhënë goditjen e planifikuar. Në fillim nuk u fol për grup antiparti, armiq, apo agjentë të jugosllavëve. U synua që së pari të izolohej Xoxe në Byronë Politike, të mbetej pa mbështetës, dhe pastaj t’ i hiqeshin një e nga një postet-kyçe që mbante. Situata ishte krijuar si me porosi për talentin prej komediani të Hoxhës. Plenumi XI i Komitetit Qendror të PKSH, i mbledhur në shtator 1948, më pak se gjashtë muaj pas përfundimit të të Plenumit VIII, ishte parodia e të parit. Të njëjtët njerëz të cilët në Plenumin VIII u shprehën njëzëri pro Jugosllavisë, dhe shpallën armiq të gjithë ata që supozohej se kishin punuar kundër marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, tashmë e shpallën Jugosllavinë armike të Shqipërisë, ndërsa ata që u dënuan si antijugosllavë i shpallën heronj. Plenumi XI, i cili zgjati dy javë (13-26 shtator) u zhvillua në kohën e shkallëzimit të prishjes së Moskës me Beogradin. Pikërisht në shtator 1948 Bashkimi Sovjetik anuloi traktatin e miqësisë dhe ndihmës reciproke me Jugosllavinë të nënshkruar në prill 1945. Shembullin sovjetik e ndoqën Hungaria, Rumania, Bullgaria, Polonia, Çekosllovakia, që prishën traktatet e tyre të ngjashme me Jugosllavinë. Është interesante se këtë gjë nuk e bëri vetëm Shqipëria; me sa duket se Stalini nuk donte që Shqipëria të dukej sikur ishte vasale e Moskës.
Ajo që binte në sy në vendimet e Plenumit XI Në fakt kishte një shpërpjestim të dukshëm mes synimeve të jugosllavëve në Shqipëri, siç paraqiteshin në rezolucionin e plenumit, dhe natyrës së përgjegjësisë së individëve të fajësuar në udhëheqjen shqiptare. Në rezolucionin e plenumit u tha se udhëheqja jugosllave synonte:
T’ a bënte vendin tonë një koloni të Jugosllavisë, ta vinte nën urdhrat e direktivat e Beogradit dhe t’ i zhdukte indipendencën. T’ a bënte Shqipërinë krejtësisht të mvarur politikisht dhe ekonomikisht nga Jugosllavija dhe t’ a shkëpuste nga Kampi i Socializmit, t’ a armiqësonte me Bashkimin Sovjetik, kokën e Kampit Demokratik dhe forcën më të madhe që i jep jetë popullit t’ onë, t’ a tërhiqte Partinë t’ onë dhe popullin t’ onë, në rrugën antimarksiste, antisovjetike.[xliv]
Me këtë paragraf udhëheqja komuniste shqiptare, duke filluar që nga vetë Hoxha, e cila kishte përmbushur cdo kërkesë të jugosllavëve, pohonte se kishte qenë kolaboracioniste e tyre në zbatimin e këtij plani për zhdukjen e shtetit shqiptar. Por përgjegjës për këtë u bënë katër individë, nga të cilët vetëm dy qenë anëtarë të Byrosë Politike, dhe madje ata nuk u akuzuan për veprimtari armiqësore. Në rezolucionin e plenumit ata u kritikuan në terma të buta. Nuk u bë fjalë veçse për influencim nga jugosllavët dhe predispozim ndaj tyre. Për Xoxen u tha se:
ka qenë më i predispozuari dhe më i influencuari në veprimtarinë e tij nga udhëheqja tradhtare e Partisë Komuniste Jugosllave.[xlv]
Për Pandi Kriston u tha se:
ka qenë shumë i influencuar në veprimtarinë e tij nga udhëheqja tradhëtare e Partisë Komuniste Jugosllave.[xlvi]
Për Kristo Themelkon u tha:
ka qenë një nga më të influencuarit nga udhëheqja antimarksiste jugosllave, se ka zbatuar pa rezerva direktivat e udhëheqjes jugosllave në sektorin e Ushtrisë.[xlvii]
Masat edukative, siç u quajtën, qenë: Xoxe u shkarkua nga posti i sekretarit organizativ të Komitetit Qendror të partisë, por mbeti anëtar i Byrosë Politike, Pandi Kristo u përjashtua nga Byroja Politike. Kristo Themelko shpëtoi vetëm me një vërejtje të rëndë, me shënim në biografi. Po kjo masë u mor dhe ndaj Pëllumb Dishnicës. Xhoxhi Blushi, i cili u fajësua vetëm se «ka qenë i javashëm në kuptimin e letrave të Partisë Bolshevike dhe të gabimeve të brendshme»[xlviii]u shkarkua megjithatë si kandidat i Byrosë Politike. Për Spirun u tha:
Nako Spiru ra viktimë e intrigës së madhe të jugosllavëve, ay vrau vehten, gabim i rëndë nga ana e tij dhe i palejueshëm për komunistat.[xlix]
Të gjithë në sallë e dinin se në këtë intrigë kishte marrë pjesë e gjithë Byroja Politike me Hoxhën në krye. Për Hoxhën, në rezolucionin e plenumit shkruhej, sigurisht prej vetë atij:
Rezistenca dhe lufta e shokut Enver Hoxha kundër grupit Tito që synonte të zhdukte indipendencën e Partisë dhe të vëndit u kthyen kundër tij.[l]
Vetëm një komedian si Hoxha mund të shkruante një gjë e tillë për veten, kur ai publikisht kishte folur, shkruar e firmuar për zhdukjen e indipendencës së partisë e të vendit. Plenumi XI e përmbysi përfundimisht raportin e forcave në Byronë Politike. Xoxe humbi krahun e tij të djathtë në Byronë Politike, Pandi Kriston dhe u braktis nga të gjithë politbyroistët. Hoxha fitoi mbështetjen e gjithë pjesës tjetër të Byrosë Politike, më tepër për shkak të hezitimit dhe pasigurisë së Koci Xoxes. Gjithashtu Hoxha fitoi dhe një mbështetës të ri në Byronë Politike, Spahiun, i cili me vendim të Plenumit XI u rikthye si anëtar. Pas, Plenumit XI, në 2 tetor Xoxe u shkarkua nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme, por mbeti zëvendëskryeministër dhe madje u bë ministër i Industrisë, një ironi kjo e Hoxhës, derisa Koci Xoxe nga profesioni kishte qenë punëtor teneqepunues. Gjithsesi, qëllimi i Hoxhës nuk ishte aq të tallej me Xoxen, se sa ta bindte të thellonte autokritikën e tij, çka më pas do të shërbente për dënimin e tij. Ministër i Punëve të Brendshme u bë Nesti Kerenxhi, njeriu i Xoxes, të cilin Hoxha me sa duket donte ta përdorte për të eliminuar këtë të fundit dhe njerëzit e tij. Në ndërkohë Hoxha riktheu në postin e shefit të Shtatmadhorisë Shehun e reabilituar në Plenumin XI, duke rifituar me këtë mundësinë për ta përdorur ushtrinë në çdo situatë të papritur që mund të tentonte të krijonte Xoxe me anë të Sigurimit të Shtetit. Në Plenumin XI u mor edhe një vendim me të cili regjimi konfirmonte mospërfilljen e plotë për ligjet që kishte nxjerrë vetë. Plenumi vendosi:
Të legalizohet menjëherë Partia Komuniste e jonë si Parti udhëheqëse e klasës punëtore, si forca e vetme drejtonjëse e të gjithë aktiviteteve të vendit tonë dhe që e drejton vendin për në Socializëm.[li]
Nga pikëpamja ligjore, edhe sipas vetë ligjeve që kishte nxjerrë regjimi, nuk mund të bëhej legalizimi i një partie. Sipas ligjit të vitit 1946 «Mbi formimin e partive politike», për të krijuar një parti politike grupi nismëtar duhej të paraqiste një kërkesë në Ministrinë e Brendshme, e shoqëruar me programin e partisë dhe me jo më pak se 100 firma mbështetësish. Ligji parashikonte vetëm krijimin e një partie të re dhe jo legalizimin e një partie që tashmë ekzistonte ilegalisht, siç qe rasti me PKSH. Sipas ligjit që bënë vetë komunistët në pushtet, ata duhej të ndiqnin pikërisht këtë procedurë, pra Hoxha duhej të tej tek Xoxe, ministri i brendshëm, që ishte dhe numri 2 i PKSH, me një kërkesë për krijimin e partisë, së bashku me programin dhe një listë prej 100 firmash! Por komunistët nuk i merrnin seriozisht as ligjet që bënin vetë, duke qenë se e shihnin ligjin si një skrupolozitet borgjez, prandaj ata nuk e bënë këtë gjë dhe PKSH thjesht vazhdoi të ekzistonte në klandestinitet, por tashmë në mënyrë të kundraligjshme, në raport me ligjet e miratuara nga vetë regjimi komunist?! Në shtator 1948, në fakt nuk bëhej fjalë për legalizim, por vetëm për dalje nga klandestiniteti. Por juridikisht partia mbetej ende ilegale.
Plenumi XI vendosi që në nëntor të mblidhej Kongresi I i PKSH, i cili nuk mund të shtyhej më. Kjo gjë e vinte Hoxhën në cejtnot sepse në Kongresin I do të duhej të dënohej Xoxe si armik i partisë. Para se të lëvizte në këtë drejtim Hoxha mori masa paraprake duke risjellë në fillim të tetorit Shehun në postin e Shefit të Shtatmadhorisë nga ku e kishte larguar Xoxe. Tashmë Hoxha mund të mbështetej plotësisht tek ushtria.
Këtu në skenë, si si deus ex machina, hynë sovjetikët. Të dërguarit sovjetikë në Tiranë thirrën Kristo Themelkon, i cili ishte me origjinë nga minoriteti sllav i zonës së Prespës në Shqipëri, dhe i kërkuan që për interesat e kauzës, të luftës kundër titoizmit, ai duhej të pohonte se ai, Kristo Themelko, Xoxe dhe disa të tjerë në udhëheqje, kishin qenë njerëz që kishin vepruar me ndërgjegje, të instruktuar nga jugosllavët, pas shpinës së pjesës tjetër të udhëheqjes. Për këtë shërbim, Kristo Themelkos iu dha garanci se nuk do të kishte pasoja të tjera veç largimit nga postet e larta që mbante. Hoxha kujton:
Por erdhi një moment që blloku u ça. Kristo Themelkoja pas një sërë hezitimesh e lëkundjesh, u bind se ishte e kotë të fshihej e vërteta. Fare hapur dëshmoi në Byronë Politike se veprimtaria e tij dhe e «të influencuarve» të tjerë nuk ishte çështje «influencimi», por një punë agjenturore, e kryer me sistem, e organizuar dhe e dirigjuar nga Beogradi.[lii]
Tashmë ishte siguruar premisa për dënimin e Xoxes dhe njerëzve të tij, si dhe dënimin e tyre. Në ndërkohë që Shqipëria ishte para vendeve satelite sovjetike, sa i përket dënimit të titoistëve, ajo vazhdonte të mbetej pas tyre sa i përkiste ndjekjes së hapave të Bashkimit Sovjetik në shkallëzimin e prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë. Në 25 tetor Bashkimi Sovjetik dëboi ambasadorin e Jugosllavisë në Moskë. Vendet e tjera projugosllave ndjekin shembullin e Moskës, me përjashtim të Shqipërisë. Hoxha, qartësisht, u ndalua nga sovjetikët që të ndjekë shembullin e tyre për shkak se Moska nuk donte që të krijohej përshtypja se Shqipëria ishte një satelit sovjetik. Në rrethanën e re të krijuar pas pohimit të Kristo Themelkos Xoxe u shkarkua edhe nga posti i Ministrit të Industrisë, të cilin e mori përkohësisht Ministri i Tregtisë, Gogo Nushi. Të nesërmen, Pandi Kristo u shkarkua nga posti i kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit. Xoxe do të mbetej deri në 21 nëntor në postin-fiktiv për rrethanat në të cilat ishte ai-të zëvendëskryeministrit. Hoxha, me këtë rast e vuri Ministrinë e Brendshme në duart e sigurta të Shehut. Në 29 tetor ky i fundit u bë Ministër i Punëve të Brendshme.
Kongresi I u shndërrua në provën gjenerale të gjyqit-spektakël që përgatitej të bëhej ndaj Xoxes dhe njerëzve të tij më të afërt. Hoxha, në raportin e vet në kongres, do të përcaktonte aktin e radhës të dramës së eliminimeve politike, që do të luhej në skenën e kongresit:
Koçi Xoxe dhe Pandi Kristo, në vënt që të bënin përparime n’ autokritikën e tyre, ata bënë shumë hapa prapa. Pas zhvillimit të t’ aktivevet, pas gjërave të tjera që u shtuan fajevet të këtyre të dyve dhe pas qëndrimit të tyre shumë negative, Komiteti Qëndror nuk munt të qëndrojë më në pozitat e Pleniumit XI në lidhje me masat e mara drejt këtyre të dyve. Kjo situatë e krijuar lyp masa të tjera më të rënda, pse më të rënda po bëhen fajet e tyre. Mendimi i udhëheqjes është që këta të dy duhet të përjashtohen nga Komiteti Qëndror dhe Komiteti Qëndror ja lë të drejtën organit më të lartë të Partisë, Kongresit I-rë të saj, të marë gjithë masat drejt këtyre të dyve dhe shokëvet të tjerë që e gjen t’ arsyeshme në lidhje me fajet që janë vërtetuar.[liii]
Kongresi thjesht formalizoi vullnetin e Hoxhës. Në rezolucionin e kongresit u tha:
Në këto katër vjetët e fundit, që nga Pleniumi i II-të dhe gjer në Pleniumin e XI-të Partija është dëmtuar rëndë nga ish-sekretari për Kuadrot i K.Q. Koçi Xoxe e ish antari i Byrosë Politike Pandi Kristo, të cilët duke patur përfaqësuar politikën e udhëheqjes trockiste jugosllave dhe duke vepruar me ndërgjegje, me qëllime karieriste e arriviste, kanë zbatuar vijën trockiste të udhëheqjes jugosllave në Partinë e në vendin t’ onë.[liv]
Por, me të gjithë këtë zhurmë që u bë për konspiracion titoist në Shqipëri, kongresi vendosi të përjashtonte nga partia vetëm dy vetë. Në rezolucionin e Kongresit I të PKSH u tha:
Kongresi vendosi: Përjashtimin nga Partija të Koçi Xoxes dhe Pandi Kristos si elementa trockista dhe që kanë vepruar me ndërgjegje dhe në mënyrë armiqësore kundër Partisë dhe popullit t’ onë.[lv]
Ishte qesharake që vetëm këta dy vetë të qenë përgjegjës për të gjitha ato që u tha se kishin ndodhur në marrëdhëniet me Jugosllavinë! Qartësisht, ajo çka ishte bërë në kongres, kishte qenë gjetja e një caper expiatorius. Për marrëdhëniet me Jugosllavinë deri më atëherë kishte qenë përgjegjëse Byroja Politike dhe Komiteti Qendror i partisë, të cilët kishin mbajtur një qendrim unanim sa i përket zbatimit të agjendës jugosllave të aneksimit të vendit, por kishin pasur qendrimeve të kundërta vetëm sa u përket intrigave politike ndaj njëri-tjetrit. Ato çka thuheshin tash për Xoxen u përshtateshin come un gant të gjithë anëtarëve të Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të deriatëhershëm. Hoxhës të parit nuk i konvenonte që rrethi i të goditurve në udhëheqje të zgjerohej. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë Hoxha do të gjendej në një udhëheqje ku shumicën do ta përbënin ata që nuk kishin përgjegjësi për kolaboracionizëm projugosllav, gjë që ai nuk e donte. Ai parapëlqente që shumica në udhëheqje të qenë të ngjashmit e vet.
Është domethënëse se një nga kritikat që iu bë Xoxes para Kongresit I, nuk u përmend fare në të. Kjo ishte kritika për lokalizëm. Në 11 tetor 1948, Hoxha do të thoshte në fjalimin e mbylljes në aktivin e partisë në Korçë, ku u kritikua Xoxe:
çështja e lokalizmit që është shfaqur te puna e Koçi Xoxes, mund të bëhet shkak i një gabimi të rrezikshëm për Partinë tonë, në rast se nuk kuptohet drejt… Me qenë lokalist, do të thotë të qëndrosh në pozita nacionaliste borgjeze në planin nacional. Ky është një devijim që të çon në rrugë të gabuar, të bën të braktisësh pozitat internacionaliste edhe në shkallën më të gjerë ndërkombëtare.[lvi]
Por të gjithë ata që dëgjonin nuk mund të mos mendonin se kishte një tjetër lloj lokalizmi të përbindshëm dhe ky ishte lokalizmi gjirokastrit i Hoxhës. Për këtë arsye kjo kritikë nuk iu përmend Xoxes në kongres dhe asnjëherë më vonë.
Hoxha, në Kongresin I, derisa e dënoi vënien e partisë nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit të Xoxes, si dhe e bëri përgjegjës këtë të fundit për ushtrimin e një terrori të pakufizuar në vend, në anën tjetër i gjykoi në terma shumë të buta dhe madje i mori në mbrojtje punonjësit e Sigurimit të Shtetit, me anë të të cilëve Xoxe kishte kryer veprimet e mësipërme:
Nuk mund të eskludohet që në këtë punë të frymëzuar nga trockistët jugosllavë dhe Koçi Xoxe të mos ketë dhe faje individuale, gabime të bëra nga individë punëtorë të Sigurimit. Gabime ka patur edhe në sektorët e tjerë të punës, por këto faje dhe gabime Partia dhe shteti do t’ i rishikojë me drejtësinë më të madhe duke marrë parasysh edhe të shkuarën në luftë dhe në Parti të këtyre punëtorëve të Sigurimit që kanë bërë gabime dhe Partia do të verë të gjitha forcat që këta punëtorë të Sigurimit t’ i ndreqin gabimet e tyre, duke i njohur me ndërgjegje dhe të punojnë me ndërgjegje në vijën e drejtë që ka caktuar Partia. Këta punëtorë të Sigurimit që kanë bërë gabime duhet t’ ja shpërblejnë me të mira Partisë dhe popullit për gabimet që kanë bërë.[lvii]
Hoxha ia bëri të qartë bandës së kriminelëve të Sigurimit të Shtetit se ai ishte mbrojtësi i tyre dhe se ata i detyroheshin atij personalisht që nuk do të kishin fatin e Xoxes. Të mirat me të cilat ata duhet t’ ja shpërblenin Hoxhës qenë që të sulmonin si qentë kundër atyre ndaj të cilëve do t’ i ndërsente ai. Hoxha e qortoi rreptë prirjen që kishte filluar të vihej re edhe në radhët e anëtarëve të partisë, se në shoqëri po se po, që nga plenumi i shtatorit, për ta izoluar Sigurimin e Shtetit dhe njerëzit e tij:
Në rast se shkojmë nga një ekstrem në tjetrin dhe nuk e shikojmë armën e Sigurimit nga platforma e Partisë, aherë do të gabojmë rëndë. Në rast se anëtarët e Partisë fillojnë ta shohin me bisht të syrit Sigurimin e Shtetit si një gjë të huaj dhe të dëmëshme, ahere e kemi dëmtuar Partinë dhe popullin, e kemi dobësuar armën e Sigurimit, e kemi hedhur tej nga gjiri i Partisë, nga ndihma e Partisë. Kjo është vetëm në fitimin e armikut. Një qëndrim i tillë jo i drejtë sjell shumë rreziqe. Dekurajon njerëzit e Sigurimit, të cilët do ta shohin vehten të përbuzur, të mënjanuar dhe kështu këta do të ngurojnë në kryemjen e funksionit të tyre të lavdishëm dhe të rëndësishëm dhe plot rreziqe që u ka ngarkuar Partia dhe Shteti, dhe lufta kundër armikut do të dobësohet. Kështu kemi çuar ujët në mullirin e armikut dhe i kemi bërë varrin me duart tona pushtetit popullor.[lviii]
Pushteti “popullor” kishte kështu një lidhje organike me Sigurimin e Shtetit, policinë politike të regjimit. Hoxha në kongres e bëri të qartë se, edhe pse Xoxe u fajësua se e kishte vënë Sigurimin e Shtetit mbi partinë, duke e vënë këtë të fundit nën kontrollin e Sigurimit, gjërat gjithsesi do të vazhdonin të mbeteshin pak a shumë kështu:
Partia duhet ta dijë se arma e Sigurimit është një armë speciale që ka rregullat dhe sekretet e saj që ja cakton Komiteti Qëndror i Partisë dhe Shteti, që nuk mund t’ i dijë çdo njeri qofshin këta anëtarë Partie në celula ose në komitete.[lix]
Me këtë arsyetim edhe Xoxe e kishte vënë Sigurimin e Shtetit mbi partinë, duke përfituar nga posti i dyfishtë që mbante në Komitetin Qendror dhe në Ministrinë e Brendshme. Edhe në kohën e Xoxes pretendohej se Sigurimi i Shtetit kontrollohej nga Komiteti Qendror i partisë, për shkak se kontrollohej nga sekretari i tij Xoxe. Tashmë pretendohej se Sigurimi i Shtetit qe nën kontrollin e partisë, për shkak se qe nën kontrollin e një klike në Komitetin Qendror, ose më saktë në Byronë Politike. Në thelb nuk kishte ndryshuar asgjë. Në praktikë partia mbetej nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit. Për ata anëtarë partie, në të gjitha nivelet, që do ta merrnin seriozisht parimin e deklaruar se ishte partia ajo që kontrollonte Sigurimin e Shtetit, Hoxha bëri një paralajmërim kthjellues:
Çdo anëtar i Partisë duhet të mos harrojë kurrë se armiku vazhdimisht do të përpiqet të fusi në Partinë tonë agjentë provokatorë të kamufluar.[lx]
Tashmë ai komunist që, sipas parimit se partia kontrollon Sigurimin, kërkonte të dinte për punët e Sigurimit të Shtetit, e kishte të qartë se rrezikonte të shpallej agjent-provokator. Veprimtaria e Sigurimit të Shtetit nuk do të rregullohej me ligj sa kohë që të ekzistonte regjimi. I vetmi «ligj» sipas të cilit do të vepronte Sigurimi i Shtetit do të ishte një e ashtuquajtur Platformë e Byrosë Politike për Sigurimin e Shtetit, e cila do të ishte sekret, dhe që prevalonte mbi ligjet e shpallura. Kjo e eliminoi ligjshmërinë brenda shtetit komunist. Në Kongresin I, Hoxha, me një lehtësi dhe kurajë prej komediani, i bëri të ditur partisë dhe popullit se partia nuk e meritonte emrin komuniste:
Pas një studimi të hollësishëm marksist-leninist, Komiteti Qëndror i Partisë e gjeti të nevojshme dhe të domosdoshme t’ i propozojë Kongresit të I-rë të Partisë ndryshimin e emrit të Partisë sonë Komuniste në «Partia e Punës». Ndryshimi i emrit të Partisë sonë ësht’ i drejtë dhe kjo për arsye të kompozicionit shoqëror të vëndit tonë dhe të Partisë sonë, që e përfaqëson besnikërisht këtë kompozicion shoqëror të popullit… Ne e dimë se në vëndin tonë nuk ekziston një klasë punëtore e gjërë sikundër që ekziston në vënde të tjera të përparuara… Konsideracionet sentimentale nuk munt të qëndrojnë më këmbë përpara realitetit të shkencës marksiste-leniniste. Partia jonë e Punës do të jetë vazhdimi i Partisë sonë heroike e frymëzuar dhe e mbështetur fuqimisht në marksizmë-leninizmën.[lxi]
Me këtë Hoxha pohoi vërtetësinë e tezave që kishin në kohën e formimit të partisë ata komunistë dhe grupime të tilla, të cilët kishin qenë kundër krijimit të partisë me teza si ato që shprehu Hoxha më lart, dhe që kërkonin që për krijimin e partisë të pritej derisa të rritej në numër klasa punëtore në vend. Në rezolucionin e Kongresit I të partisë, në 1948, thuhet:
Duke marrë parasysh se në vendin tonë shumica e popullsisë përbëhet prej fshatarësisë që arrin gati 90% kurse klasa punëtore vetëm tani në zhvillim e sipër është akoma shumë e vogël, dhe duke marrë parasysh se edhe në vetë përbërjen shoqërore të Partisë, përqindja e punëtorëve arrin vetëm 22.6% kurse ajo e fshatarësisë së varfër 53. 4% dhe e mesmja 13% dhe 10% intelektualë, zanatçinj, etj., Kongresi vendosi të ndryshojë emrin e PK në Partija e Punës e Shqipërisë, ndryshim që është i drejtë për arsye të kompozicionit shoqëror të vendit e të Partisë tonë dhe që bazohet në shkencën marksiste-leniniste.[lxii]
Kjo do të thotë se sipas shkencës marksiste-leniniste partia komuniste ishte anomaly në Shqipëri. Por gjërat qenë edhe më keq se në Kongresin I u mashtrua për numrin e komunistëve punëtorë. Kjo pohohet në një shënim shpjegues për tekstin e mësipërm:
Shifra 22. 6% që tregon përqindjen e anëtarëve të partisë me gjendjen shoqërore punëtore është e gabuar. Në Kongresin II të PPSH punëtorët në parti përbënin 11. 5% kurse në Kongresin III 17.7%. Vetëkuptohet se në Kongresin e I përqindja e punëtorëve në parti ka qenë më e vogël, jo më shumë se 10%. Përqindja është dhënë gabim, për arsye se para Kongresit të I nuk ka patur të dhëna të sakta dhe një përcaktim të drejtë të origjinës dhe të gjendjes shoqërore të anëtarëve të partisë.[lxiii]
Hoxha pohoi kështu se ai dhe shokët e tij që kishin marrë pushtetin kishin kryer një herezi ndaj doktrinës komuniste dhe tashmë vetëdeklaroheshin në retrospektivë puçistë me qëllimin e pastër dhe të vetëm marrjen e pushtetit. PKSH ndërroi emrin në PPSH, Partia e Punës e Shqipërisë. Por anëtarët e saj vazhduan të quhen komunistë dhe qëllimi i saj, i deklaruar në statutin dhe programin e saj, që më së fundi u hartuan, ishte ndërtimi i socializmit dhe më pas i komunizmit në Shqipëri. Stalini i dha partisë shqiptare të njëjtin emër me atë të asaj koreanoveriore. Hoxha, në 10 shkurt 1961 do të thoshte në bisedën me delegacionin e Partisë së Punës së Koresë të Veriut në Kongresin IV të PPSH:
Populli i Koresë së Jugut sheh se ç’ hapa bën socializmi në pjesën veriore të atdheut të tij, nën udhëheqjen e Partisë së Punës të Koresë, të Komitetit Qendror me shokun Kim Ir Sen në krye.[lxiv]
Hoxha, në vazhdim të fjalimit të tij, bëri disa deklarata të cilat nuk shërbenin për gjë tjetër përveçse për të vënë më tepër në dukje distancën që mbante Bashkimi Sovjetik ndaj regjimit të tij:
Imperializmi anglo-amerikan drejt për drejt dhe me organizimin e brendshëm të reaksionit, me organizimin e sabotazhevet, grupi trathëtar trockist i Titos, janë përpjekur me gjithë fuqit’ e tyre që ta shkëpusin Shqipërinë nga burimi Mëmë, që është Bashkimi Sovjetik, t’ errësojnë dëshirën e madhe që ka populli ynë për Bashkimin Sovjetik, të minojnë Partinë dhe pushtetin tonë popullor, që kështu të skllavërojnë popullin tonë.[lxv]
Ironikisht në kongres nuk gjendej asnjë delegacion partiak sovjetik që të dëgjonte gjithë këtë retorikë patetike prosovjetike. PKBS qe mjaftuar ta përshëndeste kongresin vetëm me një telegram, që më i shkurtër nuk kishte si bëhej:
Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik u dërgon përshëndetje të nxehta delegatëve të Partisë Komuniste të Shqipërisë.
Nënë drejtimin e Partisë Komuniste populli shqiptar ka korrur suksese serioze në luftën për pamvarësinë kombëtare dhe të sovranitetit të vëndit dhe të rindërtimit të tij demokratik.
Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste të B.R.S.S. i uron Partisë suaj- detashmentit përparimtar të klasës punëtore dhe punonjësve të Shqipërisë- suksese të mëtejshme në punën e ndërtimit dhe të forcimit të Shtetit demokratik popullor, në luftën për lirinë dhe lumturinë e punonjësvet të Shqipërisë.
Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik[lxvi]
Siç shihet nuk përmendet as ndërtimi i socializmit, e aq më pak i komunizmit në Shqipëri, as emri i Hoxhës. Telegramin nuk e ka nënshkruar as Stalini në emër të KQ të PK të BS. Stalini kërkonte të krijonte përshtypjen se Bashkimi Sovjetik nuk kishte asnjë lidhje të posaçme ideologjike me Shqipërinë. Nën dritën e telegramit sovjetik, dukej absurde deklarata patetike e besnikërisë ndaj Bashkimit Sovjetik, që Hoxha bëri në kongres:
Partia dhe populli ynë janë të lidhur gjer në vdekje me Bashkimin Sovjetik dhe n’ aleancë të pathyeshme me popujt e demokracive popullore.[lxvii]
Hoxha e mbylli raportin e tij në kongres kështu:
Jetë të gjatë dhe lavdi shokut tonë Stalinit të Math, mësonjësit të lavdishëm të Partisë sonë dhe gjithë proletariatit ndërkombëtar, të cilit i detyrojmë jetën e popullit tonë dhe të Partisë sonë, që i ka shpëtuar për shumë herë rjesht nga katastrofa e agresionit gjermano-italian, nga imperialistët amerikanë dhe nga grupi trockist i Titos!
Për shokun tonë të Math e të dashur Stalin dhe për Partin’ e lavdishme Bolshevike si kurdoherë edhe sot në këtë ditë historike, për Partinë dhe për popullin tonë, gjithë Komunistët shqiptarë, e tërë Partia jonë si një trup dhe i tërë populli ynë i math e i vogël brohorit për lavdin’ e tyre në shekuj.
Për Partin’ e lavdishme Bolshevike!
Për lavdin’ e Stalinit të Math!
Për Partinë dhe për popullin tonë!
HURRAA…[lxviii]
Nëse Stalini do t’ i kishte dëgjuar këto fjalë, ai me ironinë e tij të njohur, do të thoshte se ndoshta ai i ka bërë vërtet këto që thoshte Hoxha, por nuk e kishte ditur derisa nuk i dëgjoi. Të gjithë delegatët në sallë dhe shqiptarët që dëgjonin fjalimin e Hoxhës në radio kishin pritur të dëgjonin se sa ndihmë konkrete ekonomike do t’ i jepte Bashkimi Sovjetik Shqipërisë, nëse Bashkimi Sovjetik do të kompensonte së paku ndihmën ekonomike që kishte premtuar të jepte Jugosllavia, por për këtë Hoxha nuk tha asgjë. Ajo që tha Hoxha në fjalën e mbylljes ishte se dashuria për Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin do të ishte magjia që do t’ i bënte gjërat të funksiononin në Shqipëri:
Ky Kongres u zhvillua në një lartësi kaqë të madhe se në bazë të punimevet të Kongresit, se në zëmrat tona vlonte dashuria e pakufishme për Bashkimin Sovjetik, për Partinë Bolshevike dhe për shokun Stalin.[lxix]
Kongresi ishte qartësisht triumfi i surrogat-intelektualëve. Ndër shtatë anëtarët e Byrosë Politike që doli nga Kongresi I kishte vetëm dy punëtorë, Gogo Nushi dhe Beqir Balluku. Për punëtorët në udhëheqje u tha haptas se qenë injorante. Shehu tha për Gogo Nushin, në kongres:
Të metat e Gogos duhet të vihen në dukje pse ai duhet të shkojë përpara, pse ai deri tashti s’ ka kapur një libër me dorë.[lxx]
Në Byronë Politike u përmbys raporti fetar, duke qenë tashmë anëtarë të saj gjashtë muslimanë (Hoxha, Shehu, Spahiu, Belishova, Kapo, Beqir Balluku) dhe tre të krishterë, nga të cilët dy ortodoksë (Spiro Koleka, Gogo Nushi) dhe një katolik (Tuk Jakova). Të dy të krishterët ortodoksë qenë nga një fshat i Himarës, Vunoi, madje qenë kushërinj. Kushërinj qenë dhe Hoxha e Spahiu. Jo më pak i madh ishte shpërpjestimi krahinor në Byronë Politike. Në të kishte shtatë anëtarë nga Toskëria dhe vetëm dy nga Gegëria- emrat e këtyre të fundit është më lehtë të përmenden: Beqir Balluku dhe Jakova. Në Byronë Politike të pas Kongresit I kishte pesë anëtarë të Byrosë Politike që kishte qenë deri në Plenumin VIII: Hoxha, Kapo, Gogo Nushi, Spahiu, Jakova. Nëse këta të pestë «antititoistë» do të kishin përbërë një bllok atëherë, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga ato që ndodhën. Të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, veç Shehut dhe Belishovës, qenë të kompromentuar në Plenumin VIII, si xoxistë, ose edhe siç ishte rasti i Hoxhës, si denoncues projugosllavë. Hoxhës i interesonte që në udhëheqjen e re të dalë nga Kongresi I, të ishin njerëz të implikuar në Plenumin VIII, edhe pse atje kishin atakuar edhe atë vetë, se kështu nuk kishte rrezik që ata ta përdornin në të ardhmen kundër Hoxhës qëndrimin e këtij të fundit në atë kohë. Veç pesë anëtarëve te Komitetit Qendror që mbetën nga ata që kishin qenë në përfundim të Plenumit VIII, pjesa më e madhe e 16 anëtarëve të tjerë të Komitetit Qendror prej 21 anëtarësh, qenë njerëz të cilët qenë ftuar në Plenumin VIII dhe atje kishin mbajtur qëndrime të cilat tashmë kritikoheshin rëndë. Kur në Kongresin I u ngritën zëra që kundërshtonin hyrjen në Komitetin Qendror të disa xoxistëve të spikatur, Hoxha do të reagonte si në rastin kur replikoi me diskutimin e Gjin Markut:
Shoku Gjin Marku foli pa u menduar mirë për Manush Myftiun, për Kiço Ngjelën… Shoku Manush pse ka hartuar Plenumin VIII, ose fjalimet e Koçit? Po aty ka qenë n’ agjitacion-propagandë dhe ka shkuar me autorizimin e Koçit… Po Koçi Xoxe është e vërtetë që ka pasur simpati për Kiço Ngjelën. Ai solli shumë shokë në Plenumin VIII të Komitetit Central, me qëllim që të mbronin vijën e tij të gabuar.[lxxi]
Komiteti Qendror i dalë nga Kongresi I do të përbëhej, sa i përket anëtarëve, nga 15 muslimanë dhe 6 të krishterë nga të cilët pesë ortodoksë dhe vetëm një katolik. Sa i përket kandidatëve, Komiteti Qendror do të përbëhej nga tetë muslimanë dhe dy të krishterë nga të cilët një ortodoks dhe një katolik (Beqir Ndou). Në Kongresin I Hoxha do të bënte anëtare të Komitetit Qendror edhe gruan e vet, Nexhmije Hoxhën, çka do të përbënte një precedent edhe për gratë e udhëheqësve të tjerë. Ironikisht, nga anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror “antitist” të dalë nga Kongresi I, në 1948, më vonë për 12 anëtarë (Abedin Shehu, Teodor Heba, Manol Konomi, Niazi Islami, Tuk Jakova, Spahiu, Kahreman Ylli, Belishova, Beqir Balluku, Petrit Dume, Sadik Bekteshi, Shehu), dhe 6 kandidatë (Nexhip Vincani, Ramadan Xhangolli, Beqir Ndou, Spiro Pano, Shyqyri Këllezi, Sali Ormëni), pra shumica e Komitetit Qendror të nëntorit 1948, do të zbulohej se ishin qenë armiq, titistë, trockistë, fashistë etj. Një nga mitet që do të krijonte më pas Hoxha për Kongresin I ishte ai se ai i dha fund luftës kundër intelektualëve, që kishte bërë Xoxe deri atëherë. Por mosbesimi ndaj intelektualëve vazhdoi edhe më pas, madje në Kongresin I u fiksua në Statutin e partisë. Për këtë mjaft të shikosh rregullat e ndryshme për pranimin në parti të punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve:
Për ata që vinë nga radhët e punëtorëve të qytetit dhe të fshatit duhet rekomandimi i dy antarëve të Partisë që kanë jo më pak se një vit jetë Partije dhe që e kanë njohur kandidatin personalisht në punë të paktën 6 muajt e fundit.[lxxii]
Për fshatarët ishte ky rregull:
Për ata që vinë nga radhët e fshatarëve të varfër duhet rekomandimi i dy antarëve të Partisë, njëri nga të cilët duhet të ketë jo më pak se një vit jetë Partije dhe tjetri 2 vjet jetë Partije dhe ta kenë njohur kandidatin personalisht në punë të paktën vitin e fundit. Për ata që vinë nga radhët e fshatarëve të mesmë dhe të zanatçinjve dhe shtresave të kësaj kategorije të qytetit duhet rekomandimi i tre antarëve të Partisë, të cilët duhet të kenë jo më pak se dy vit jetë Partije dhe ta kenë njohur kandidatin personalisht në punë të paktën vitin e fundit.[lxxiii]
Ndërsa për intelektualët ishte ky rregull:
Për ata që vinë nga radhët e intelektualëve duhet rekomandimi i tre antarëve të Partisë, të cilët duhet të kenë jo më pak se 3 vjet jetë Partije dhe ta kenë njohur kandidatin personalisht në punë të paktën vitin e fundit.[lxxiv]
Deri më atëherë regjimi kishte deklaruar se të dyshimtë për të qenë vetëm intelektualët borgjezë, ndërsa tash po pohonte se intelektualët në përgjithësi qenë ai grup shoqëror të cilët shiheshin si të dyshimtë nga regjimi. Dhe jo ishte në pajtim me racionalen e regjimit. Cdo njeri i shkolluar që ishte specialist në një rrafsh të caktuar të dijes, ishte dhe një disident sui generis ndaj regjimit, duke qenë se e kuptonte qartë se sistemi shoqëror-ekonomik në fuqi nuk funksiononte. Punëtorët dhe fshatarët edhe mund të mashtroheshin pak a shumë nga propaganda e regjimit, se shkaku që gjërat shkonin keq kishte të bënte me sabotimet e armiqve të kamufluar, bllokadën e huaj. Por intelektualët e kuptonin pak a shumë se ky ishte një shpjegim demonologjik që kamuflonte realitetin, se të ashtuquajturat sabotime qenë një alibi për mosrealizimin e planeve ekonomike dhe aksidentet në industri të shkaktuara nga teknologjia e vjetëruar, mungesat në furnizime me lëndë të para e pajisje, si dhe nga kaosi i shkaktuar nga planifikimi ekonomik i llojit sovjetik. Për qëndrimin e Hoxhës ndaj intelektualëve është instruktiv një koment i tij për ngjarjet në Hungari, në 1956:
Ngjarjet e tetor-nëntorit të 1956-s nënvizuan edhe një herë karakterin e lëkundshëm të intelektualëve dhe të rinisë studenteske hungareze. Këta u bënë mashë e reaksionit, skuadra sulmi të borgjezisë.[lxxv]
Hoxha i pa me këtë sy edhe intelektualët e studentët në Shqipëri, prandaj sa kohë qe gjallë u përpoq që t’ i kontrollonte ata me lloj-lloj mënyrash. Edhe pse një nga mitet që Hoxha kultivoi më me kujdes ishte ai i paraqitjes së Xoxes si persekutor i intelektualëve, përkundër Hoxhës që i mbronte ata, fjalët e mësipërme të Hoxhës shprehin atë çka mendonte ai vërtet për ta. Në Fjalorin Enciklopedik të botuar në prag të vdekjes së Hoxhës, do të përmendej intelektualizmi si një e keqe që konsistonte në:
Baza ideologjike e intelektualizmit është idealizmi. Intelektualizmi ushqen e nxit burokratizmin dhe liberalizmin. Ai bëhet bazë për përhapjen e individualizmit, egoizmit, mendjemadhësisë, qëndrimit opportunist në luftën e klasave.[lxxvi]
Hoxha që prej vjeshtës së vitit 1948 u bë i famshëm në vendet e kampit komunist dhe në lëvizjen komuniste ndërkombëtare staliniste, si njeriu që i rezistoi Titos. Këtu filloi dhe deliri i madhështisë i tij, si udhëheqësi i një vendi të vogël, të ndarë nga pjesa tjetër e kampit për shkak të tradhtisë së Titos, i cili në aleancë me imperializmin donte ta mbyste këtë vend të vogël, por ai rezistonte se ndihmohej nga Bashkimi Sovjetik. Sa i përket përgjegjësisë penale për atë që kishte ndodhur u arrestuan dhe dolën në gjyq vetëm gjashtë vetë: Xoxe, Pandi Kristo, Nesti Kerenxhi, Vaskë Koleci (zëvendësministri i Punëve të Brendshme), Vango Mitrojorgji, drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit (Pogradec) dhe Nuri Huta, drejtor në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Këtu u reduktua konspiracioni titoist në Shqipëri! Kuptohet se përse. Hoxha ishte i pari që donte ta mbyllte këtë çështje me sa më pak të dënuar, se ai ishte i pari që kishte përgjegjësi në këtë çështje. Në rast se kjo çështje do të ishte hetuar dhe gjykuar ashtu siç duhej atëherë duhej që në krye të listës së të pandehurve që do të dilnin në gjyq të ishte vetë Hoxha. Pas Kongresit I Hoxha do të bënte apologji për marrëdhëniet me Jugosllavinë gjatë një vizite që bëri në Vlorë në dhjetor 1948, ku do të mbante një fjalim në një miting të organizuar në këtë qytet. Kjo ishte hera e dytë që Hoxha do të fliste në një miting në Vlorë, pas ardhjes në pushtet, një nder ky që nuk i ishte bërë asnjë qyteti tjetër. Hoxha tha në fjalimin në Vlorë:
Ju e dini se Shqipëria si vend i vogël, kishte nevojë për miq e për ndihmë. Me cilët vende e popuj duhej të lidhej vendi ynë? Patjetër me ata që luftuan kundër fashizmit e në rradhë të parë me Bashkimin Sovjetik, mandej me popujt e demokracive popullore e popujt fqinj të Jugosllavisë. Populli ynë u lidh me popujt e Jugosllavisë. Kjo qe e drejtë dhe në interes të dy popujve, në interes të kampit të socializmit.[lxxvii]
Hoxha nuk e shpjegoi se si pretendonte që Shqipëria do të zhvillohej me ndihmën e një vendi që e kishte përballuar luftën vetëm me ndihmën ekonomike të Perëndimit, siç ishte Bashkimi Sovjetik, i cili për më tepër kishte dalë i shkatërruar nga lufta, si dhe me ndihmën e një vendi agrar si Jugosllavia, gjithashtu mjaft të dëmtuar nga lufta, dhe që kërkonte vetë ndihmë.
Behar Zhurda, roja përsonale për një kohë të gjatë i Hoxhës, tregon në kujtimet e tij një episod me Hoxhën:
Më në fund, pasi më tregoi me dorë një libër që fliste për ministrin e Jashtëm të Napoleonit, ai papritur më pyeti:
-E di ti Behar, si e ka vlerësuar Napoleoni ministrin e tij të jashtëm Talejrandin?- një njeri ky, siç dihet, mjaft i zgjuar, por edhe pa karakter: Një cizme e bukur, e mbushur me m…- tha këto, pastaj vazhdoi më tepër sikur foli me veten e tij:
-Ç’ vlerë mund të ketë njeriu me njëqind flamurë![lxxviii]
Por, a nuk ishte vetë Hoxha, që pozonte si gjeneral- kolonel me uniformë blu, me shirita të kuq në pantallona, me cizme të lustruara ishte në fakt sipas përcaktimit të Napoleonit një «çizme e mbushur me mut»? Hoxha, duke u bërë antititoist stalinist, kishte filluar ndryshimin e flamurëve, dhe do të rrëmbente dhe të tjerë flamurë gjatë karrierës së tij, me përjashtim të flamurit shqiptar, të cilin e kishte tjetërsuar duke i vënë yllin komunist në krye.
4.
Diktatori tantalian
Në nëntor 1948, në Kongresin I, Hoxha u bë më në fund Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të partisë. Duke qenë se Hoxha ishte edhe kryeministër mund të thuhet, se më në fund ai arriti të bëhet diktator. Por Hoxha do të ishte një diktator me një vicediktator, i cili ishte Shehu. Ky i fundit, ashtu si Xoxe u bë sekretar i Komitetit Qendror dhe ministër i Punëve të Brendshme. Shehu ishte një njeri që kishte pushtet real në udhëheqje dhe nuk u bënte thjesht jehonë fjalëve të Hoxhës. Kjo gjë kuptohet dhe nga ato që i ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë, V. A. Karjetkin, i raportonte Moskës në 7 prill 1952:
Për sa i përket njëzëshmërisë në Byronë Politike, jashtë kontekstit të shqyrtimit të çështjes së Bedri Spahiut, duhet theksuar pikërisht qëndrimi pritës që mbajnë gjatë mbledhjeve anëtarët e saj, me përjashtim të Mehmet Shehut. Këtë tipar karakteristik të tyre e ka vënë në dukje edhe Mehmet Shehu, edhe vetë Enver Hoxha në bisedën në fjalë, duke deklaruar se anëtarët e tjerë të Byrosë Politike rrinë gojëkyçur dhe «presin udhëzime» derisa ta marrë fjalën Enver Hoxha ose Mehmet Shehu.[lxxix]
Megjithëse tashmë Shqipëria ishte krejtësisht e orientuar nga Bashkimi Sovjetik, pikërisht në kohën kur Stalini e kishte privuar Berian nga pushteti i madh që kishte pasur, duke i hequr portofolin e ministrit të Punëve të Brendshme, dhe duke i lënë postin e zëvendëskryeministrit, në Shqipëri Shehu u bë zëvendëskryeministër, ministër i Punëve të Brendshme, si dhe sekretar i KQ. Madje, në kohën kur në Bashkimin Sovjetik Stalini e kishte ndarë Sigurimin e Shtetit nga Ministria e Brendshme, në Shqipëri ky mbeti pjesë e Ministrisë së Brendshme. Nga këto kuptohet se Moska donte dualitet në krye të diktaturës në Shqipëri. Hoxha ishte kundër dëshirës së vet, një diktator me një vicediktator.
Emërimi i Shehut në vend të Xoxes tregonte se sa false ishte ajo që thuhej se përgjegjës për terrorin e madh që ishte bërë në vend pas vitit 1944, ishte Xoxe. Hoxha, 32 vjet më vonë, në të ashtuquajturën «Tablo sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu», paraqitur në Plenumin IV të Komitetit Qendror të PPSH në 24 shtator 1982 pas vdekjes së Shehut, do të kujtohej të thoshte se Shehu kishte qenë terrorist që gjatë luftës partizane:
ai përdori terrorin në fshatrat ku kalonte Brigada I për të diskredituar Partinë e forcat partizane.[lxxx]
Kështu dilte se Shehu, njeriu që u vu në vend të Xoxes, e kishte filluar terrorin para Xoxes! Katapultimi i Shehut në postet e larta, duke u bërë numri 2 i regjimit tregonte se ende vazhdonte ajo praktikë për të cilën në akt-akuzën e paraqitur nga Prokurori në gjyqin ndaj Xoxes dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme, u tha:
Ata që bënin tortura dhe vrasje pa gjyq gradoheshin dhe ngriheshin në përgjegjësi.[lxxxi]
Hoxha nuk e ndjente veten komod me Shehun, jo thjesht për faktin se ky ishte një njeri i fortë dhe energjik, por edhe se prania e Shehut në udhëheqje kujtonte se si kishte bashkëpunuar Hoxha me Xoxen dhe jugosllavët, si i akuzuar-denoncues. Shehu tash dilte si hero i dënuar nga Plenumi VIII, ku Hoxha kishte bashkëpunuar me persekutorët e tij. Hoxha kishte thënë në Plenumin VIII:
Propozimi i Byrosë është që Mehmet Shehu dhe Liri Belishova të përjashtohen nga KQ. Këta ishin armiq koshientë të Partisë. Qëndrimi i tyre përpara Partisë ka qenë tamam si qëndrim i shumë shokëve tanë karshi politikës fashiste. Këta nuk kanë asgjë të përbashkët me Partinë, prandaj nuk mund të qëndrojnë në asnjë mënyrë si kandidatë.[lxxxii]
Hoxha e dinte se Shehu, në rast se do t’ i jepej rasti, do të bënte një gjyq-spektakël ndaj Hoxhës mbi bazën e atyre që ky i fundit kishte bërë në atë kohë. Prandaj Hoxha u përpoq ta pengonte ngritjen e Shehut. Jakova në mbledhjen e Byrosë Politike ku u vendos që Shehu të bëhej edhe sekretar i Komitetit Qendror, u shpreh e që ky të mos e merrte këtë post meqënëse ishte dhe ministër i Brendshëm. Jakova arsyetonte se derisa Xoxe kishte abuzuar duke pasur këto dy poste, atëherë nuk kishte kuptim që ato t’ i kishte përsëri i njëjti njeri. Edhe pse Shehu nuk u bë sekretar i Komiteti Qendror për kuadrin, si Xoxe, por një nga katër sekretarët e Komitetit Qendror, përsëri ky post kishte peshë se mbulonte organet e diktaturës së proletariatit, siç quheshin ushtria, organet e punëve të brendshme dhe të drejtësisë. Kritika e Jakovës ishte qartësisht e nxitur edhe nga Hoxha, i cili nuk e pëlqente fuqizimin kaq të madh të Shehut. Të njëjtin mendim si Jakova kishte edhe Belishova, e cila edhe pse ishte nga e njëjta krahinë si Shehu, Mallakastra, ishte më afër Hoxhës. Por fuqizimin e Shehut e donin sovjetikët, kështu që kritika e Jakovës nuk u mor parasysh. Sovjetikët, duke mos pasur besim në aftësitë e Hoxhës, i vunë pranë një njeri të fortë si Shehu.
Regjimi komunist shqiptar, pas vitit 1948 ishte si një dorë ku Hoxha ishte “gishti i madh”, ndërsa katër udhëheqësit e tjerë kryesorë, Shehu, Jakova, Spahiu, Beqir Balluku qenë si katër “gishtat” e tjerë. Ashtu si gishti i madh i dorës është i vetmi që mund të prekë të katër gishtat e tjerë, edhe Hoxha ishte i vetmi që mund t’ i kontaktonte personalisht të katër dhe t’ i influenconte. Në kohën e Xoxes ky rregull qe prishur se Xoxe kishte në dorë Ministrinë e Brendshme dhe Sektorin e kuadrit në KQ, e gjithë kjo sipas modelit jugosllav dhe jo atij sovjetik. Por, secili nga gishtat mund ta prekte gishtin e madh, prandaj ata duheshin bërë të parrezikshëm.
Hoxha ishte një diktator i pasigurt, pavarësisht nga përshtypja që kërkonte të linte. Ai nuk kishte talent prej oratori dhe nuk ishte në gjendje të fliste pa letër. Në 28 prill 1978 ai do të thoshte në mbledhjen e Sekretariatit të KQ:
Edhe unë e pata vështirë kur fola pa letër në mitingun e Gjirokastrës, sepse tash edhe mosha më shkoi, po mendova: përse të futem ta shkruaj fjalimin që do të mbaj? Le të flas më mirë pa kartë![lxxxiii]
Si diktator Hoxha filloi të nxiste kultin e vet, deri nëidolatri. Në 31 tetor 1951 ai tha në një takim me punëtorët në Tiranë:
Në gjirin e popullit tonë ka njerëz të mrekullueshëm. Një njeri i thjeshtë më ka dërguar një portret me kokrra gruri, misri, fasule, me fletë trëndafili etj. Një kryevepër e bukur që edhe artistët tanë zor ta bëjnë ashtu. Ky njeri i thjeshtë populli që e bëri këtë portret, thotë se kur e filloi ju kujtua gjithë e kaluara. Këto janë talentet e reja që po rrit partia.[lxxxiv]
Fjalë të tilla qenë sinjal për burokracinë e regjimit që të fryhej kulti i udhëheqësit. Në kohën që diktatori shërbente kultin e vet, ai u kujdes që t’ i tërhiqte fort frerët e partisë. Në 6 mars 1949 Hoxha do t’ u dërgonte një letër gjithë organizatave të partisë në vend ku thuhet:
Komiteti Qendror i PPSH konstaton se në mjaft organizata të Partisë dhe nga mjaft anëtarë të Partisë është kuptuar shtrembër demokracia e brendshme e Partisë dhe si rrjedhim nuk respektohet me rigorozitet disiplina e Partisë e cila buron prej saj. Është e domosdoshme t’ u jepet fund menjëherë dhe qysh tani në fillim të gjitha këtyre shfaqjeve të dëmshme të cilat dobësojnë rëndë Partinë, dobësojnë unitetin dhe kompaktësinë luftarake të rradhëve të saja, që të çojnë në njëfarë anarkie në punët e Partisë.[lxxxv]
Demokracia e brendshme në parti ishte stimuluar në 1948, si ekspedient për të luftuar Xoxen dhe njerëzit e tij. Tash që vazhdonte për inerci shihej si e rrezikshme, prandaj u mblodhën frerët. Sipas Statutit të partisë të miratuar në Kongresin I:
Partija e Punës e Shqipërisë është një organizatë lufte unike.[lxxxvi]
Nëse partia luftonte për ndonjë gjë tash, ajo luftonte për të ruajtur privilegjet që kishte siguruar si klasa e re sunduese e vendit. Kjo klasë e re sunduese përbëhej nga burokracia e regjimit, e cila ishte aristokracia e regjimit, të cilën diktatori ashtu si monarkët mesjetarë herë e përkëdhelte, herë e kërcënonte. Hoxha tha në kongresin e kooperativave bujqësore, në shkurt 1949:
Ne nuk do të lejojmë që të krijohet një shtet memurësh dhe burokratësh.[lxxxvii]
Pikërisht në atë kohë ishte krijuar një burokraci e panjohur më parë në Shqipëri, e cila rëndonte posaçërisht mbi fshatarin, një burokraci e paparë grabitqare, e cila zbatonte vendimet qeveritare për grumbullimet e detyruara të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Aspekti më kurioz i funksionimit të regjimit komunist, është se fjalët që ai përdorte fituan praktikisht konotacionin e termave të regjimeve aristokratike. Kështu ndodhi me fjalën “nomenklaturë”. Fjala “nomenklaturë”, që do të thotë “listë emrash”, në Shqipëri, si në vendet e tjera komuniste përdorej për të treguar hierarkinë e zyrave që kishin të drejtë të bënte emërimet e njerëzve, në gjithë piramidën shtetërore, praktikisht në çdo post apo vend pune në shoqërinë e gllabëruar nga shteti. Sistemi nomenklaturist funksiononte në dy shina, do të thotë në dy lista. Njëra ishte lista që përmbante postet dhe vendet e punës në përgjithësi, që mbuloheshin nga një zyrë e caktuar. Listat tjetër përmbante emrat e njerëzve të cilët qenë përcaktuar si pretendentë për t’ i zënë këto poste.
Në majë të piramidës së sistemit nomenklaturalist qe Byroja Politike, e cila i propozonte Komitetit Qendror emërime të cilat sigurisht që miratoheshin gjithmonë, duke e fiktivizuar funksionin e KQ. Byroja Politike dhe KQ kishin në nomenklaturën e tyre postet më të rëndësishme shtetërore dhe partiake: ministra, zëvendësministra, kuadrot e lartë të Sigurimit të Shtetit, ushtrisë etj. Më pas, në shkallët e mëposhtme të piramidës partiako-shtetërore ishte nomenklatura e Këshillit të Ministrave, e ministrive, e drejtorive në ministritë e ndryshme. Në nivel lokal, qenë Komitetet e Partisë në rrethe dhe Komitetet ekzekutive që kishin nomenklaturën për emërimet në nivel vendor. Kështu shkonte deri tek drejtori i ndërmarrjes, kryetari i kooperativës bujqësore, që kishin dhe ata nomenklaturën e tyre, dhe më poshtë ende deri tek brigadieri në ndërmarrje apo në kooperativën bujqësore, tek kryetari i Këshillit popullor të lagjes që ndante fletë-pune, për puën të thjeshta.
Ky sistem nxiste krijimin e një lloj feudalizmi burokratik, ku politbyrositët, varësisht fuqisë së tyre, emëronin zyrtarë të lartë, të cilët pastaj duke përdorur atributin e nomenklaturës që kishin emëronin të tjerë më poshtë dhe kështu gjërat vazhdonin zinxhir, duke u krijuar një sistem senjor-vasal. Zyrtari i lartë-senjor i jepte vasalit një post dhe e mbronte dhe në këmbim kërkonte që t’ i bënte privilegje duke abuzuar me postin, të cilat të mira materiale që ai përfitonte i përdorte për vete dhe për të bërë “ndere”, për të fuqizuar klanin. Kështu vazhdonte në gjithë hierarkinë. Ai që ishte vasal i një senjori, ishte senjor i vasalëve të tjerë, dhe kështu me radhë. Kishte disa klane të mëdha nomenklaturiste dhe kur kishte spastrime, kuptohej menjëherë se cili klan po goditej më tepër. Qëllimi i spastrimeve të diktatorit ishte që të goditej ky apo ai klan nomenklaturist. Fjala “nomenklaturë”, në përgjithësi, u bë termi që shenjonte atë që Gjilasi e quajti klasa e re sunduese, e cila kishte të drejtën e pashkruar që të siguronte privilegje të paligjshme.
Klasa e re sunduese në Shqipëri përbëhej nga 20-25 000 kuadro të nivelit qendror dhe vendor. Në nivel qëndror hynin në radhë të parë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, ministrat, anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të partisë, drejtuesit e aparatit të KQ dhe të qeverisë, Sigurimit të Shtetit, organeve të drejtësisë, krerët e organizatave të masave. Në nivel vendor në klasën e re bënin pjesë anëtarët e byrove dhe të plenumeve të Komiteteve të Partisë së rretheve, kryetarët e komiteteve ekzekutive dhe aparati i tyre, sekretarët e partisë të ndërmarrjeve shtetërore, kooperativave bujqësore, lagjeve në qytete, kryetarët e këshillave popullore të lagjeve në qytete dhe fshatrave, kuadrot e Sigurimit të Shtetit, kuadrot kryesore të ushtrisë në rrethe, gjykatësit, prokurorët. Njerëzit e klasës së re kishin privilegje të pashkruara, të shkallëzuara, që u siguronin banesa shumë më të mira se të tjerëve, pushime në resorte të zgjedhura, mjekim të posaçëm, ilaçe të ardhura nga Perëndimi, të drejtën për të blerë në dyqane të zgjedhura ku nuk kishte mungesa, automobile shtetërorë që u shërbenin si të familjes, të drejta studimi-siç quheshin- për fëmijët e tyre në universitete, në degë të pëlqyeshme etj.
Ata kishin edhe tagrin e pashkruar për të përfituar abuzivisht sa të donin nga prona e përbashkët. Në klasën e re duhen futur dhe familjet e tyre, si dhe të afërmit e tyre që përfitonin në shumë mënyra nga këto privilegje. Hoxha gjithmonë vartësve të tij që eliminonte ua përmendte abuzimet financiare, korrupsionin, si faje shtesë, por asnjëherë nuk ndodhi që ndonjëri prej tyre të dënohej vetëm për këto gjëra. Kështu abuzimi me pushtetin për përfitime personale tolerohej si një e drejtë e pashkruar, e cila derivonte nga posti.
Në një letër të Komitetit Qendror për komitetet qarkore të partisë, të dhjetorit 1946, me titull «Mbi vigjilencën» thuhej:
Shoku Aranit Çela prokuror i Shkodrës, me rastin e transferimit, si pa gjë të keq dhe në kundërshtim me ligjin në fuqi ngarkon një kamion me mobileri të financës.[lxxxviii]
Aranit Çela megjithatë në 1954, pas kthimit nga studimet në Bashkimin Sovjetik, u emërua kryetar i Gjykatës së Lartë, për t’ u bërë pastaj në 1958 Prokuror i Përgjithshëm, dhe në 1966 përsëri kryetar i Gjykatës së Lartë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1990, duke qenë kështu njeriu kryesor i drejtësisë së regjimit komunist. Fakti që një njeri si ai ishte për 28 vjet kryetar i Gjykatës së Lartë dhe për 8 vjet Prokuror i Përgjithshëm, flet shumë. Hoxha i mësonte të gjitha abuzimet dhe shpesh ua bënte të ditur përgjegjësve, në stilin e komedianit, duke bërë shaka me Pilo Peristerin, saktësisht në atë mënyrë që Hoxha thotë se vepronte Hrushovi duke përdorur Mikoyan-in:
Hrushovi, siç e kishte zakon, bënte shaka me Mikojanin. Ishte një mënyrë e kombinuar që shigjetat, hiletë, dredhitë, të rremet, kërcënimet, Hrushovi t’ i shoqëronte me të tallura me «Anastasin» që interpretonte «të marrin e mbretit».[lxxxix]
Në Shqipëri zeja e diktaturës dhe diktatorit kishte veçoritë e veta. Hoxha do të ishte në marrëdhënie të tilla me nomenklaturën të cilat Stalini as që kishte ëndërruar t’ i kishte. Derisa Shqipëria ishte një vend shumë i vogël me një popullsi të vogël, në fakt vendi më i vogël komunist për nga territori dhe popullsia (Shqipëria nuk ishte më e madhe se një provincë e vogël e një republike sovjetike), Hoxha ishte i involvuar personalisht në të gjitha zhvillimet në vend, në emërimet në nivel lokal, spastrimet, problemet e imta konkrete në fabrika e kooperativa bujqësore, në një mënyrë që nuk e kishte bërë kurrë jo vetëm Stalini, por edhe çdo homolog i tij në vendet e tjera komuniste. Por Shqipëria qe një vend agrar i prapambetur, me rrugë të këqija dhe të ndërtuara në mënyrë të tillë që distancat mes qyteteve e krahinave qenë shumë më të gjata se në vende me reliev të ngjashëm. Kjo bënte që kontrolli i qendrës të vështirësohej dhe prandaj ushtrimi i diktaturës bëhej shumë më i thellë se ç’ do të ishte në rrethana të tjera. Kombinimi i përmasave të vogla të Shqipërsë, me përmasat e pushtetit absolute të Hoxhës, krijoi situatën kur u shfaq më mirë se kudo, në formë karikature, absurditeti i shoqërisë të ultraplanifikuar.
Në Shqipërinë e vogël, e cila kishte 1 milion banorë kur u vendos regjimi komunist dhe 3 milion kur u rrëzua, diktatori kishte shumë më tepër përgjegjësi për atë që ndodhte në vend se Stalini apo Mao Ce Duni. Shqipëria ishte edhe më e vogël se një provincë e vogël e Bashkimit Sovjetik apo Kinës.
Nëse Hoxha ishte ishte diktatori, burokracia e regjimit ishte diktatura. Midis diktatorit dhe diktaturës do të kishte një marrëdhënie të dyfishtë si midis zbutësit të bishave dhe bishave në cirk. Diktatori dhe burokracia nuk bënin dot pa njëri-tjetritn por edhe e kishin frikë njëri-tjetrin. Hoxha, ashtu si Stalini ishte i vetëdijshëm për fuqinë e atij që e quanin “aparati”, pra të burokracisë partiako-shtetërore. Ata e dinin se aparati ishte një robot që mund të kthehej kundër tyre. Prandaj e godisnin herë pas here. Hoxha, ashtu si diktatorët e tjerë komunistë, duke qenë i vetëdijshëm për pushtetin shumë të madh që zotëronin vartësit e tij në postet që mbanin në të gjithë piramidën partiako-shtetërore, përdorte dy mënyra për të evituar dëmin që mund t’ u vinte nga kjo. Nga njëra anë i kundërvinte vartësit e tij të pushtetshëm ndaj njëri tjetrit, ndërsa në anën tjetër bënte periodikisht qarkullimin e kuadrove, në mënyrë që ata të mos krijonin bazën e tyre personale të pushtetit në sektorët ku drejtonin, si dhe spastrime periodike të përgjakshme, për t’ i mbajtur nën terror.
Në origjinë të gjithë frikës së diktatorit dhe ajo çka e kthente këtë frikë në paranojë ishte vetëdija se ai e kishte marrë shumë lehtë pushtetin. Kjo gjë ishte edhe një lloj manteli i centaurit që regjimi i vjetër i la të riut, çka solli dhe paranojën e madhe të diktatorit dhe terrorin e madh ndaj popullit dhe vartësve të tij. Në këtë pikë regjimi i Hoxhës ngjante me atë sovjetik, leninist-stalinist. Arsyeja kryesore që regjimi sovjetik leninist dhe më pas stalinist qe skajshmërisht represiv dhe gjakësor, vinte nga fakti se tek Lenini dhe pasuesi i tij, Stalini, la mbresë shumë të madhe lehtësia e madhe me të cilën bolshevikët e morën pushtetin në Rusi në 1917. Ata e kuptonin se arsyeja kryesore për këtë ishte indulgjenca me të cilën i trajtoi ata regjimi i vjetër. Kur bolshevikët erdhën në pushtet, ata qenë të vendosur të mos ua bënin këtë favor kundërshtarëve të tyre realë dhe të supozuar, ose potencialë. Kjo ishte arsyeja që regjimi bolshevik e theksonte me të madhe vigjilencën, të cilën shumë studiues të tij e kanë quajtur paranojë. Në fakt sensi i vigjilencës i regjimit bolshevik ishte më tepër një racionalitet i justifikuar brenda irracionalitetit të tyre. Bolshevikët që erdhën në pushtet në Rusi në 1917, e dinin se nëse regjimi i vjetër do t’ i kishte eliminuar fizikisht ata, që kur qenë asgjë më tepër se disa agjitatorë, atëherë kauza e tyre do të kishte marrë fund, dhe do të qenë shkurajuar ata që ndryshe mund të qenë nxitur të ndiqnin shembullin e tyre. Prandaj regjimi bolshevik ndëshkonte rëndë cilindo që thoshte dhe fjalën më të vogël që mund të interpretohej si kundër regjimit komunist.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për regjimin komunist shqiptar. Fakti që Hoxha e mori pushtetin lehtësisht e bëri atë supersensitiv. Hoxha dhe të vetët e filluan konspiracionin e tyre për marrjen e pushtetit, nëpër kafene. Prandaj Hoxha qe shumë i ndjeshëm ndaj bisedave nëpër kafene kur qe në pushtet dhe i shikonte si pikënisje konspiracionesh. Porosia kryesore e regjimit ishte: Vigjilencë! Vigjilenca provohej me spiunim. Mungesa e vigjilencës ishte faj i rëndë që e bënte praktikisht armik fajtorin, kur përsëritej, domethënë kur dikush nuk kishte spiunuar për diçka të dënueshme nga regjimi, për të cilën kishte marrë dijeni dhe për të cilën kishte spiunuar dikush tjetër.
Kur Hoxha erdhi në pushtet ai e gjeti kursin komunist të mbylljes së vendit si kompatibël me natyrën e vet prej maniaku të romaneve policore. Hoxha u gjend befas në situatën e ëndërruar nga maniakët e romaneve policore, kur mund të bënte njëkohësisht shkrimtarin dhe personazhin kryesor, duke i krijuar ngjarjet, të cilat më pas i përshkruante. Hoxha e mbylli Shqipërinë ashtu si si një vrasës maniak mbyll një shtëpi të madhe dhe fillon përndjek njerëzit që gjenden brenda saj, me një fantazie makabre, duke krijuar situata frike të skajshme në të cilat tek njerëzit clirohej instinkti i pakontrolluar i vetëmbrojtjes, që mënjanonte çdo aspekt etik njerëzor, dhe i vinte njerëzit kundër njëri-tjetrit. Kjo gjendje do të vazhdonte për 41 vjet gjatë periudhës që Hoxha ishte në pushtet dhe 6 vjet pas vdekjes së tij. Më pas kur shtëpia të hapej, banorët e saj do të vuanin pasojat traumatike të kësaj të shkuare.
Arritja e Hoxhës ishte një ngrehinë shtetërore diktatoriale mbi një ekonomi të shkatërruar. U bë si një gjë e natyrshme hendeku abysal mes frazeologjisë propagandistike dhe realitetit. Nga njëra anë e kësaj humnere jetonte udhëheqja, ndërsa në anën tjetër populli. Politika dhe vetë qeverisja ishte ritualizuar me liturgji ideologjike, që konsistonte në një frazeologji absurde.
Në kohën që diktatori-«Herman» mendonte se kishte gjetur kombinacionin magjik të letrave fituese, atij iu shfaq befas «kontesha plakë» në trajtën e përkeqësimit të sëmundjes së diabetit. Në komunikatën mjekësore që u dha me rastin e vdekjes së Hoxhës në prill 1985, u tha se ai vuante nga diabeti që në vitin 1948.[xc]
Të njëjtën gjë thotë edhe Nexhmije Hoxha në kujtimet e veta. Kjo e tregon kështu historinë se si e mësuan që Enver Hoxha ishte i sëmurë me diabet, në gusht-shtator 1948:
Qëlloi që Aneja (edhe unë kështu e thërrisja nënën e Enverit, si fëmija e saj), ishte e sëmurë dhe rastësisht, në korridor, takova tek vinte profesor Fejzi Hoxhën, i njohur i familjes dhe shok i rinisë së Enverit... Më pyeti për shëndetin e Enverit. I thashë: «Pi shumë cigare dhe shumë ujë». Nuk foli fare për cigaret, por menjëherë më pyeti «Sa ujë pi?» Pasi i tregova se sa ujë pinte, më tha: «Të lutem nesër më dërgo ca nga urina e tij për analizë». Unë këtë porosi ia zbatova. Kur ai erdhi pas disa orësh, ishte i tronditur dhe shumë i zbehtë në fytyrë. Duke përtypur fjalët dhe me shumë zor më tha: «Enveri ka sëmundjen e sheqerit dhe analiza tregon që e ka shumë të lartë».[xci]
Kjo mund të ishte historia se si Hoxha e kishte zbuluar sëmundjen e diabetit vite më parë, por jo historia se si zbulohej sëmundja e diabetit e shefit të një regjimi komunist. Enver Hoxha, si i tillë bënte rregullisht analiza, duke përfshirë dhe ato të sheqerit në gjak. Diabeti nuk ishte ndonjë gjë e vështirë për t’ u diagnostikuar. Në rast se Fejzi Hoxha i bëri një shërbim kaq të madh Enver Hoxhës, duke i diagnostikuar diabetin në 1948, dhe duke evituar kështu që sëmundja të shkaktonte dëme të tjera nga moskurimi, si shpjegohet që Fejzi Hoxhës, rreth dy vjet iu konfiskua shtëpia ku banonte tek Rruga e Kavajës? Por megjithatë ai vazhdoi të banonte në atë shtëpi si qiramarrës ndaj shtetit, dhe vazhdoi të ishte mjeku personal zyrtar i Enver Hoxhës?! Shpjegimi i këtij paradoksi është se Fejzi Hoxhës iu dha një paralajmërim pasi ai kishte folur diku për sëmundjet e Enver Hoxhës, ashtu që ai e kishte pasur diabetin para vitit 1948.
Në vitin 1948 Hoxhës thjesht iu përkeqësua sëmundja e diabetit, të cilën e ka pasur që më parë. Në 1948 sëmundja thjesht iu përkeqësua nga stresi i madh që kaloi ai në vitet 1947-1948. Stresi stimulon diabetin për shkak se rrit sheqerin në gjak, nëpërmjet rritjes së adrenalinës dhe noradrenalinës. Por një tjetër arsye e përkeqësimit të sëmundjes ishte se Hoxha kishte neglizhuar në dietën që duhet të mbante. Pas kësaj Hoxha filloi të mbante dietë të rreptë që të evitonte rritjen e sheqerit dhe të yndyrnave në gjak. Ky duket se ishte ndëshkimi i tij prej Tantali, për faktin se e kishte çuar popullin drejt një urie të panjohur deri më atëherë në kohë paqeje. Tash edhe ai qe i ndëshkuar të jetonte me një racion urie. Por madje edhe dieta nuk i bënte dobi, se efekti neutralizohej nga stresi i madh që ende kalonte ai. Stresi shkaktonte destabilizimin e diabetit dhe ngritjen e yndyrnave në gjak. Si influencoi sëmundja në mentalitetin e Hoxhës si diktator? Në këtë pikë ka një detaj interesant. Hoxha, në 4 prill 1969, në një diskutim në mbledhjen e Byrosë Politike, do të thoshte:
Kam lexuar, për shembull një roman të shkruar nga një mjek për Prustin. Autori e trajton veprën e tij më shumë nga këndi i mjekësisë, se Prusti, sic dihet, ka qenë i sëmurë. Megjithëse nuk është shkrimtar i afirmuar, romani i mjekut që thashë, prapë është shumë i mirë.[xcii]
Hoxha këtu qartësisht shfaq maninë e vet për të treguar erudicion, por duket se ai interesohet për këtë lloj literature edhe për shkak të sëmundjeve të tij. Sigurisht që sëmundja ka influencuar në mentalitetin e Hoxhës si diktator. Sëmundja e vuri Hoxhën në pozitën e Tantalit, ashtu që ai i kishte të gjitha të mirat e botës, por nuk mund të hante dhe të pinte ato që donte. Kjo do t’ i kultivonte Hoxhës sadizmin ndaj krejt popullit, të cilin do ta bënte që të vuante bashkë me të. Me këtë duhen shpjeguar disa veprime të Hoxhës që sollën përkeqësimin e jetesës së shqiptarëve dhe që ai mund t’ i kishte evituar. Si për të kompensuar mosngrënien e ushqimit, Hoxha shtoi pirjen e duhanit. Mjeku i tij personal, Fejzi Hoxha kujton:
Përpiqesha prej shumë kohësh ta bindja shokun Enver për ta kufizuar duhanin se pinte shumë, afër katër paketa në ditë.[xciii]
Duhani sigurisht që e keqësonte shëndetin e tij, edhe ashtu të dobët, por këtu diktatori diktoi vullnetin e vet për shumë kohë, derisa nuk pësoi infarktin e parë të miokardit. Propaganda e regjimit e paraqiste Hoxhën si një njeri i cili punonte e mendonte natë e ditë për të mirën e Shqipërisë, i cili edhe kur shkonte me pushime nuk hiqte dorë nga puna, si një njeri i cili i përçmonte zbavitjet borgjeze. Të rinjve të cilët kapeshin duke luajtur me letra u thuhej se kjo gjë do ta mërziste shumë shokun Enver, po ta merrte vesh. Por vetë Hoxha, si një «Herman» i vërtetë, nuk hiqte dorë nga loja me letra. Partneri i tij në këtë lojë, politbyroisti Spiro Koleka, kujton:
Shumë shpejt një lojë zbavitëse dhe tërheqëse për të gjithë u bë loja «uist» apo «pesëkatëshi». Shoku Enver kërkonte të «më nxirrte fishek» gjithmonë në radhë të parë mua që e mbaja veten për «të parë» në këtë lojë, donte si e si të më bënte të «nxehesha»… Ndonjëherë ndodhte që unë të shkoja në Shtëpinë e Partisë i fundit. Menjëherë, sa më shihte, shoku Enver thërriste me të qeshur:
-Erdhi, erdhi mjeshtri i pesëkatëshit! Dhe sot duket se ka ardhur i vendosur të fitojë patjetër! O burrani, se iku koha! Dhe menjëherë fillonte loja. E me t’ u ndezur loja e zhurma, shoku Enver shkrihej në të qeshura.[xciv]
5.
Kancelaria sekrete private e Enver Hoxhës
Në 7 shtator 1977 Enver Hoxha, me rastin e një artikulli të shpërndarë nga agjencia HSINUA, bënte në ditarine vet politik shënimin me titull: «Ç’ është Zyra e Përgjithshme në Kinë?»[xcv] Në këtë shënim Hoxha shkruan:
Për herë të parë dëgjojmë që një zyrë e tillë ekziston në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.[xcvi]
Në artikullin kinez që citonte E. Hoxha thuhet:
Zyra e Përgjithshme kishte detyrat e ruajtjes së kryetarit Mao dhe të Komitetit Qendror të Partisë, si dhe të trajtimit të çështjeve shumë sekrete të partisë dhe të problemeve të tjera të rëndësishme.[xcvii]
Hoxha komenton:
del se Mao Ce Duni udhëhiqte vetëm me këtë personel të Zyrës së Përgjithshme; se kjo zyrë ishte e plotfuqishme, mbi Byronë Politike, mbi Sekretariatin, mbi Komitetin Qendror.[xcviii]
Pikërisht një vit pasi Hoxha shkruante këto gjëra, në 26 shtator 1978, Hoxha mbante një fjalim në një pritje në selinë e KQ, me rastin e 60-vjetorit të lindjes të bashkëpunëtorëve të vet Haxhi Kroi dhe Hulo Tartale. Në veprën 68 të Hoxhës, ku botohet ky fjalim, është ky shënim shpjegues:
Shoku Haxhi Kroi për një kohë të gjatë ka qenë shef i Sektorit të Përgjithshëm në aparatin e KQ të Partisë dhe sekretar personal i shokut Enver Hoxha.[xcix]
Është e qartë se Hoxha bën komedianin kur shtiret i habitur kur mëson për ekzistencën e Zyrës së Përgjithshme të Komitetit Qendror të Partisë në Kinë. Kjo zyrë në Kinë dhe Shqipëri ishte ndërtuar sipas modelit sovjetik të krijuar nga Stalini, të asaj që Abdurahman Avtorkhanov e quan «kancelaria sekrete e Stalinit». Avtorkhanov, një njohës i mirë i sistemit sovjetik, duke qenë se kishte punuar në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në kohën e Stalinit, shkruan në librin e vet «Vdekja e Stalinit: komploti i Berias», duke drejtuar gishtin tek ky institucion sekret stalinian:
Një biograf i Stalinit që nuk do të vendoste në qendër të analizës së tij «kabinetin sekret» të Stalinit, të përbërë nga «Sekretariati i shokut Stalin» dhe nga «sektori special», do të kuptonte shumë pak gjëra nga jeta e tij, nga ngritja e tij drejt diktaturës personale, nga sekreti i sukseseve të tij fenomenale. «Kabineti sekret» qe një shpikje e jashtëzakonshme e Stalinit, një mendim që i erdhi atij kur Lenini ishte akoma gjallë, kur «diktatura» e vetme që njihej ishte ajo e një grupi, e Byrosë Politike, dhe jo ajo e një personaliteti të veçantë.[c]
Haxhi Kroi, njeriu që do të drejtonte për 36 vjet kabinetin sekret të Hoxhës, kujton:
Këtë enigmë për mua do ta zgjidhte janari i vitit 1949. Një ditë në fillim të këtij muaji më lajmëruan të paraqitesha në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë. Më erdhi fare papritur kur m’ u komunikua vendimi për të kaluar me detyrë pranë udhëheqjes së Partisë e shokut Enver dhe se për të nisur nga puna e re do të njoftohesha së shpejti. Ndërkohë kisha mësuar se me propozimin e drejtpërdrejtë të shokut Enver po krijohej në aparatin e Komitetit Qendror një sector i veçantë, që do të merrej me gjithë shërbimet që lidheshin me veprimtarinë e përditshme të udhëheqjes së Partisë. Kjo punë do të niste qysh nga kujdesi për ndjekjen e përgatitjes së materialeve që do të merreshin në diskutim në mbledhjet e forumeve të larta të Partisë e deri në mbajtjen e proces-verbaleve të rregullta në to etj… Ky aparat shërbimi do të ndiqte gjithashtu, përgatitjen e vendimeve që merreshin në mbledhje, si dhe të dokumenteve të tjera, do të kujdesej t’ i dërgonte ato në destinacion, si dhe pasqyrimin në mënyrë sistematike të të gjithë kësaj veprimtarie edhe në Arkivin e Komitetit Qendror të Partisë.[ci]
Haxhi Kroi saktëson se ai ishte:
emëruar përgjegjës i atij sektori shërbimi pranë udhëheqjes, që sot quhet ‘i përgjithshëm.[cii]
Ajo që thotë Haxhi Kroi, se sektori që do të drejtonte ai kishte detyra thjesht prej kancelarie, është vetëm aparenca, kamuflimi i kësaj zyre, sipas shembullit të kancelarisë sekrete të Stalinit. Avtorkhanov shkruan në lidhje me këtë gjë:
Gjëja e re në këtë shpikje ishte se diktatura personale ishte e maskuar dhe pas asnjë gjurmë të jashtme. Anëtarët e Komitetit Qendror, bile edhe ata të Byrosë Politike, nuk shihnin një kabinet sekret, por një kancelari të thjeshtë që e kërkonin nevojat teknike dhe që përbëhej nga funksionarë dhe teknikë nga më të zakonshmit.[ciii]
Në fakt kjo ishte në pajtim me praktikën e kamuflimit të qendrës reale të pushtetit me eufemizma burokratike, të krijuar prej Leninit në Partinë Bolshevike, me krijimin e Byrosë Politike. Një bir i paligjshëm i kësaj ishte sekretariati i Komitetit Qendror i krijuar nga Stalini. Kancelaria private, ose sekretariati i Sekretarit të Përgjithshëm, ishte i thjesht quintia essentia e kësaj praktike leniniste. Edhe pas Sektorit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror në Shqipëri fshihej një kancelari sekrete shumë e komplikuar dhe e plotfuqishme. Hoxha thotë për Zyrën e Përgjithshme në Kinë:
Zyra e Përgjithshme e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës përbëhet nga një personel, numri i të cilit nuk dihet, se nuk thuhet, vetëm shpjegohet se në këtë personel të kësaj Zyre të Përgjithshme ka komandantë dhe luftëtarë të njësisë 8341 të Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Ç’ është kjo njësi numër 8341? Ne nuk mund ta përcaktojmë dot se nuk jepet ndonjë shpjegim, por, siç është thënë nga vetë kinezët, ky është reparti i rojave të sigurimit që ruanin Mao Ce Dunin, dhe kur thuhet reparti i rojave të Maos, kuptohet që ky do të ketë qenë një repart i madh me të gjitha mjetet.[civ]
Në fakt kjo ishte një kopje e asaj që ndodhte në Bashkimin Sovjetik në kohën e Stalinit, ku Gjenerali Vlasik, komandanti i repartit të rojeve personale të Stalinit, ishte më tepër në vartësi të kancelarisë sekrete të Stalinit se të linjës së vartësisë zyrtare. Është interesante se diçka e ngjashme na zbulohet edhe në kujtimet e atij që për 29 vjet do të ishte «Vlasiku» i Hoxhës, Sulo Gradecit. Ky i fundit shkruan në kujtimet e veta:
Më ka ngelur në kujtesë qëndrimi i Kadri Hazbiut më 1978, kur në Paris ndodhej shoku Hysni Kapo që ishte sëmurë. Me vete Kadriu kishte marrë edhe suitën e tij: Llambi Ziçishtin e shumë të tjerë. Po në atë kohë edhe unë shkova në Paris me Qazim Tafallën, një nga shokët e shërbimit, për të marrë diçka që i duhej ekipit shëndetësor… Por veprimet tona më se të ligjshme ishin ngatërruar nga Llambi Ziçishti. Ky i kishte thënë Kadri hazbiut se «Suloja ka ardhur këtu e po bredh Parisit» etj., etj. Më thirri Kadri Hazbiu në prezencën edhe të një shoqëruesi të tij dhe më pyeti:
-Përse keni ardhur këtu?
-Për punë, -i thashë.
-Ç’ janë këto punë?- pyeti i zemëruar. -Për to s’ ka dijeni as zëvendësdrejtori yt, pa le unë. Ti nuk përfill askënd, vepron me kokën tënde.[cv]
Zëvendësdrejtori për të cilin flitet është ai i Drejtorisë së sigurimit të udhëheqjes në Sigurimin e Shtetit, nga e cila varej në letër Sulo Gradeci. Kadri Hazbiu përmend zëvendësdrejtorin, se drejtori gjendej në Paris me të, për sigurimin e Kapos. Kadri Hazbiu, ministry i Punëve të Brendshme dhe eprori i Sulo Gradecit, fliste kështu donte të ishte në rregull se mos ndodhte nesër që Enver Hoxha e nxirrte armik Sulo Gradecin dhe e akuzonte Hazbiun për mungesë vigjilence. Por ajo që kuptohet këtu është se shefi i rojeve të Hoxhës ishte në vartësi të një instance jozyrtare, që nuk mund të ishte tjetër përveç kabinetit sekret të Hoxhës. Këtë e pohon me gojën e vet Sulo Gradeci në episodin e treguar, ku biseda mes shefit të rojeve të Hoxhës dhe dy ministrave, është shumë instruktive:
-Do të të përcjell në Tiranë, do të të nis si njeri mendjemadh,- më kërcënoi. (Kadri Hazbiu-K.M.)
-E humba durimin dhe i thashë:
“-Ju çdo gjë mund të bëni se jeni anëtar i Byrosë Politike, por ajo që më thatë s’ është e drejtë. Tok me Qazimin jemi ngarkuar të vijmë këtu, urdhrin për rastin konkret na e ka dhënë tjetërkush.
…Hapa derën dhe ika, kur përballë rrinte Llambi Ziçishti (ministr i Shëndetësisë-shënimi im- K.M.) me dy shokë të tjerë.
-Përse i keni ngatërruar këto gjëra te ministri?- i them i indinjuar.
-Jo,- më thotë Llambi.- Janë rregulla këto e duhen zbatuar.
-Çfarë rregullash more,- i them,- Unë me shokun Petrit Gaçe, që ndodhej me shërbim këtu, shkuam për të marrë diçka për të cilën duhet të ishim të dy bashkë!
-Ç’ është ajo gjë më pyeti?- më pyeti.
-Diçka që i shërben një qëllimi, një detyre që e mbulojnë sektorët tanë, sektori i Shërbimit të Sekretarit të Parë. Mendoj se kaq është mjaft. Ne as u nisëm e as mund të vinim këtu as për qejf e as me kokën tonë.
-Dakord,- tha,- por duhen shkresa, vendime.
-Ç’ janë këto shkresa, -i thashë.- Mos duhet të merrni administratë me vete nga mbrapa në Paris?[cvi]
Sulo Gradeci më lart thotë «sektorët tanë, sektori i Shërbimit të Sekretarit të Parë»(!) Kështu ai pohon ekzistencën e kancelarisë sekrete të Hoxhës, madje me disa sektorë, që mbulojnë fusha të ndryshme. Kjo qeveri personale e Hoxhës vepron në mënyrë informale, ekstraadministrative, paralel me qeverinë zyrtare dhe Komitetin Qendror të partisë, si dhe me të gjitha zyrat e tjera të shtetit. Në dispozicion të kësaj kancelarie sekrete ka burime financiare që kalojnë jashtë kanaleve zyrtare, siç kuptohet nga ajo që tregon më poshtë Sulo Gradeci për Kadri Hazbiun:
Ai gjoja ishte zbutur dhe kur doli Petriti, më dërgoi një shok dhe më tha që: «Po të dojë fonde Suloja, jap unë për t’ i blerë ato që duhen».
-Nuk kemi nevojë,- i thashë. –Ç’ ishin për të blerë i blemë.[cvii]
Haxhi Kroi, njeriu që për 36 vjet do të ishte «Poskreibishevi» i Hoxhës, ishte nga Libohova, pranë Gjirokastrës. Haxhi Kroi fillimisht kishte qenë mësues dhe gjatë kohës së pushtimit italian kishte qenë hierark fashist. Në Kongresin I të PKSH emri i Haxhi Kroit u paraqit në listën me 33 emra të atyre që kandidonin për anëtarë të Komitetit Qendror. Shumica e delegatëve i hoqën vizë emrit të Haxhi Kroit, duke e njohur si hierark fashist.[cviii]Në vend të tij u zgjodh Bardhok Biba, i cili ishte një nga njerëzit që kishte bërë zhurmë për Haxhi Kroin. Haxhi Kroi kishte qenë që në fillim një nga njerëzit e besuar të Hoxhës. Oakley-Hill, presidenti i UNRRA për Shqipërinë në 1945, tregon kështu për vendosjen e marrëdhënieve zyrtare mes tij dhe regjimit, pas takimit me Hoxhën:
Ai tha se do të ngrinin një komision për t’ u marrë me ne, komision ky që do të mbulonte të gjitha hollësitë dhe çështjet teknike. Kryetari i këtij komisioni doli të ishte një person civil i këndshëm me emrin Haxhi Kroi që në themel ishte i arsyeshëm po bënte çmos për të nxjerrë zhiblat dhe ngatërresat e zakonshme. Grupi i tij u quajt Komisioni i Furnizimeve të Jashtme.[cix]
Haxhi Kroi bën një rrëfim shumë interesante për ditën e parë të punës në kancelarinë sekrete të Hoxhës:
Në mbrëmjen e 27 janarit 1949 u ktheva më herët se zakonisht në shtëpi dhe po rrija fare i shkujdesur. Papritur, aty nga ora 20ºº e mbrëmjes, trokiti dera. Ishte një nga oficerët shoqërues të shokut Enver.
-Vij nga Komandanti. Kam porosi të vish tani me ne, se po të pret në shtëpi.
Te shtëpia e shokut Enver arrita në orën 20: 20. Në hyrje po më priste oficer kryesor shoqërues i Komandantit, Axhem Abazi.
-Nuk është nevoja të trokasësh,- më tha ai me zë të ulët.- Komandanti ka porositur që sa të vish të paraqitesh menjëherë.
Megjithatë trokita. Por, kur hapa derën, u stepa. Brenda nuk ndodhej vetëm Komandanti, siç e kisha menduar, por gjithë Byroja Politike, ulur rreth tavolinës së punës. Nga shokë të ndryshëm kisha dëgjuar se mbledhjet e Byrosë Politike e të Sekretariatit të KQ të Partisë bëheshin në studion e shokut Enver, po nuk e dija se ato zhvilloheshin natën. Aty për aty mendova se ishte një rast i veçantë, i shtyrë nga ndonjë situatë jo e zakonshme. Por më pas do të shihja se kjo gjë bëhej rregullisht… Mbledhja vazhdoi deri afër orës 2³º.[cx]
Edhe pas eliminimit të Xoxes, Hoxha vazhdonte të ndiqte jo vetëm orarin e punës nokturn stalinian, që tashmë ishte bërë një rutinë, por edhe praktikën e bërjes së mbledhjeve të ngushta zyrtare në shtëpinë e vet, ashtu si monarkët mesjetarë. Këtë praktikë Hoxha nuk do ta ndiqte vetëm me Byronë Politike. Edhe mbledhjet e sekretariatit të Komitetit Qendror do të bëheshin në një mjedis bohem. Haxhi Kroi kujton:
Nga veprat e tij lexuesi e di që Enveri bënte një takim pothuajse të përditshëm me sekretarët e KQ të Partisë, takim që kishte petkun e çlodhjes, sepse ishte në orarin e pirjes së përbashkët të kafesë, por që, në të vërtetë, ishte një ngarkesë pune. Gjatë kësaj kohe bëheshin diskutime e rriheshin probleme nga më të rëndësishmet për jetën e Partisë e të vendit, sado që Enveri i quante ato biseda të lira me shokët.[cxi]
Haxhi Kroi, më tutje, kujton për natën, ose më saktë mëngjesin e përfundimit të mbledhjes së parë të Byrosë Politike në shtëpinë e Hoxhës, ku ai mori pjesë:
Mbështolla materialet dokumentare që lanë pjesëmarrësit e mbledhjes mbi tavolinë, i vendosa në rregull sipas çështjeve, njëri mbi tjetrin, po nuk dija ç’ të bëja me to. Po qëndroja në mëdyshje. ‘T’ i lë këtu, nuk bën, se kjo është detyra ime. Po as në shtëpi nuk mund t’ i marr. Atëherë ku t’ i çoj në errësirë?’ Ato ishin dokumente partie me rëndësi, ndërsa unë atë natë, i thirrur me ngut, u ndodha i papërgatitur: nuk kisha me vete as çantë, as dosje. Asgjë. Duhej të kishin kaluar disa sekonda, ndoshta rreth një minutë, kur në studio u kthye shoku Hysni Kapo me pardesy të veshur e me kapelë në kokë. Ai m’ u drejtua me fjalët:
-Shoku Enver më porositi që sonte t’ i marr unë në shtëpi e t’ i vendos në kasafortën time këto materiale, prandaj eja t’ i çojmë së bashku. Nesër në mëngjes do të të telefonoj kur të vish t’ i marrësh. Për herë të tjera të mendosh vetë si duhet vepruar.
Dhe me materialet në duar e përcolla deri tek hyrja kryesore e shtëpisë së tij aty afër. Kur u përshëndeta me shokun Hysni, ora duhej të ishte rreth tre e mëngjesit e 28 janarit 1949.[cxii]
Haxhi Kroi mori kështu mësimin e parë për detyrën e tij të re, atë se ato norma të cilat qenë të detyrueshme për të gjithë anëtarët e partisë, nuk vlenin për udhëheqjen e saj dhe posaçërisht për Sekretarin e Përgjithshëm. Në rast se një sekretar organizate-bazë partie katundi do të guxonte që ta bënte mbledhjen në shtëpinë e tij, kjo do t’ i konsiderohej punë personale dhe ai do të ndëshkohej rëndë. Por duket se për udhëheqjen më të lartë të partisë nuk vlenin normat e përgjithshme. E gjithë puna dhe kompetencat e Sektorit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror, që drejtonte Haxhi Kroi, duhen parë nga kjo pikëpamje e këtyre njerëzve për aspektin normativ të gjërave. Hoxha thotë për Zyrën e Përgjithshme në Kinë:
Në Kinë, pra, siç po del është bërë luftë për pushtet personal. Pushteti i Maos ishte i paatakueshëm, Maoja ishte kthyer në një perëndi dhe kuptohet fare mirë përse zhvillohej dhe përse ishte ngritur kaq lart kulti i tij. Mao Ce Duni ishte i vetmi që drejtonte me një grup njerëzish dhe këta njerëz ishin ata që i bënin qejfin, që zbatonin mendimet e tij. Ata që nuk i zbatonin mendimet e Maos, ai i quante «komplotistë», «revizionistë», i quante çfarë të donte dhe i eliminonte. Kjo nuk do të thotë se ndër ata që janë eliminuar, nuk ka pasur revizionistë e komplotistë, por metoda e punës dhe e drejtimit, një metodë natyrisht antiparti, antileniniste, të lë të dyshosh për vërtetësinë e të gjitha veprimeve që janë kryer nga një person i rrethuar prej një personeli të grumbulluar në një Zyrë të Përgjithshme dhe në një repart sigurimi. Këtij i thonë drejtim antimarksist, drejtim personal.[cxiii]
Në fakt Hoxha me këtë ka bërë edhe epigramin e vetvetes. Mjaft që të heqësh fjalët «Kinë» dhe «Mao Ce Dun»nga paragrafi i mësipërm dhe të vesh fjalët «Shqipëri» dhe «Hoxha» dhe çdo gjë do të përshtatet më së miri. Hoxha kishte thënë në Kongresin I të partisë për atë që e quajti «punë personale»:
Të jesh një udhëheqës nga më kryesorët dhe të bësh, t’ organizosh, dhe të kesh në gjak punën personale, kjo do të thotë t’ ja hypësh Partisë në kurriz dhe ta shndrrosh në një diktaturë t’ urryer. Të bësh një punë personale ka një qëllim të keq, qoftë edhe prej një njeriu të thjeshtë; të bësh një punë personale do të thotë, ta vesh vehten tënde në qendër dhe të tjerët të punojnë dhe të binden, të tjerët të përmbushin nevojat e tua, të përkëdhelin ambicien tënde, të të fryjnë megalomaninë dhe të presin në kurriz gërbaçin tënt.
Një punë e tillë personale e transportuar në pllanin e një udhëheqësi nga më kryesorët e Partisë, do të thotë ta nënshtrosh Partinë Komuniste nën vullnetin e një njeriu, t’ i mohosh rolin avangardë Partisë, rolin drejtonjës të saj, të shkelësh principet e Partisë, të shkelësh marksizmë-leninizmin.
Ay që ka në gjak punën personale, ay është njëkohësisht dhe ambicioz i math dhe një megalloman. Thjeshtësia qëndron shumë lark nga ky njeri.[cxiv]
Hoxha do të ishte pikërisht një njeri i tillë. Ai do ta drejtonte Shqipërinë në mënyrë ekstrainstitucionale, në kuptim të institucioneve që kishte krijuar regjimi. Drejtimi i vendit do të bëhej para së gjithash nëpërmjet ekuivalentit të asaj që në Bashkimin Sovjetik quhej «Instantsiya», urdhrat verbalë që vinin drejtpërdrejt nga Stalini, dhe që prevalonin mbi të gjithë urdhrat formalë që vinin në linjë shtetërore-partiake. Derisa regjimi komunist shqiptar filloi si konspiracion, duke shpërfillur ligjet që ka bërë vete, se ndiqte një agjendë sekrete për transformime shoqërore radikale, Hoxha vuri re se regjimi mund të funksiononte për konveniencën e tij, vetëm duke shpërfillur ligjet dhe normat e tjera të regjimit. Tashmë ai ishte mësuar me ilegalitetin.
Kancelaria sekrete e Hoxhës përbëhej nga njerëz të cilët shpesh nuk mbanin detyra zyrtare, ose mbanin detyra honorifike. Një pjesë e madhe e tyre qenë ish-ushtarakë të liruar, veteranë, njerëz me autoritet të madh në rrethet e regjimit, si Shefqet Peçi, Myslim Peza, Pilo Peristeri etj. Ata çonin tek autoritetet në provincë urdhra verbalë jashtë kanaleve zyrtare, të cilat kishin të bënin me emërime dhe shkarkime kuadrosh, eliminime etj. Një nga sektorët e kancelarisë sekrete të Hoxhës ishte shërbimi sekret i Hoxhës. Këtu nuk e kam fjalën për Sigurimin e Shtetit, i cili nuk mund të quhet shërbim sekret se oficerët e tij qenë të njohur, që nga operativët në nivel lokal dhe deri tek drejtuesit në qendër. Në Shqipërinë komuniste, shërbimi sekret në kuptimin e plotë të fjalës qe policia sekrete personale e Hoxhës. Ekzistencën e saj ai e pohoi kur e quajti Ministrinë e Punëve të Brendshme qendrën e puçit dhe tha se asnjë komplot nuk ishte zbuluar Sigurimi i Shtetit. Pra Sigurimi i Shtetit u shpall jo vetëm si pa vlerë, por edhe armiqësor, ndërsa krediti i shkoi policisë sekrete personale të Hoxhës.
Ashtu si në rastin e Stalinit, edhe kancelaria sekrete e Hoxhës kishte degë në provinca, të cilat mblidhnin të dhëna dhe zbatonin urdhrat konfidencialë. Në të gjithë vendin kancelaria sekrete kishte një rrjet prej 1500-2000 njerëzish, të cilët qenë bartës të një pushteti okult. Hoxha në pritjen e dhënë në 1978, në selinë e Komitetit Qendror, me rastin e 60 vjetorit të Haxhi Kroit, do shkëmbente këto fjalë me të:
SHOKU ENVER HOXHA: ti, Haxhi, je dakord me mua që ta vazhdosh punën?
SHOKU HAXHI KROI: Patjetër, shoku Enver, me gjithë qejf.[cxv]
Haxhi Kroi kishte mbushur moshën për të dalë në pension, që ishte 60 vjeç. Por megjithatë ai punoi pranë Hoxhës deri në vdekjen e këtij të fundit, në 1985. Haxhi Kroi së bashku me Sulo Gradecin, i cili do të bëhej në 1956 shefi i rojeve personale të Hoxhës, do të ishin për Hoxhën ata që ishin për Stalinin Poskreibishev dhe Vlasik.
6.
Komandanti i operacionit të dimrit kundër fshatarësisë
Dimri i vitit 1948-1949 ishte shumë i vështirë për regjimin e Hoxhës. Pas prishjes me Jugosllavinë vendi mbeti i izoluar, sa në raport me Perëndimin (me dëshirën e regjimit), aq edhe në raport me Lindjen (pa dëshirën e regjimit). Hoxha, në fjalimin e mbajtur në Gjirokastër, në 3 tetor 1947, kishte thënë:
Me popujt e Jugosllavisë na lidh gjaku i bijve dhe i shokëve tanë që u derdh së bashku, na lidhin aspiratat e njëjta. Interesi i reaksionit ka qenë dhe është që Shqipëria të izolohet, që kështu ata ta kenë si një kafshatë për ta gëlltitur. Popujt tanë të lidhur me njëri tjetrin do të ecin në rrugën e paqes e të përparimit.[cxvi]
Me këtë Hoxha donte të thoshte se nëse Shqipëria prishej me Jugosllavinë atëherë ajo do të izolohej nga pjesa tjetër e kampit prosovjetik, meqënëse me anë të Jugosllavisë sigurohej kontinuiteti i Shqipërisë me hapësirën e kampit lindor. Prishja me Jugosllavinë e kishte çuar Shqipërinë në situatën e postulatit hegeliano-marksist të historisë, të përsëritjes dy herë të ngjarjeve të mëdha historike, herën e parë si tragjedi dhe herën e dytë si farsë. Ngjarja e madhe historike që po përsëritej ishte historia e Bashkimit Sovjetik, në vitet staliniane para Luftës së Dytë Botërore, e socializmit në një vend të vetëm. Në rastin e Shqipërisë kjo do të bëhej si farsë tragjike, se Hoxha zgjodhi që, ndryshe nga Tito, ta orientonte vendin nga Bashkimi Sovjetik dhe jo nga Perëndimi. Atë që Hoxha deri më tash e kishte quajtur një ëndërr të «reaksionit» tash e quante një realitet. Ai tha në Plenumin II të KQ të PPSH, në prill 1949:
Komiteti Qendror dhe qeveria jonë duhet të kenë parasysh se vendi ynë është i rrethuar me armiq: në Veri kemi trockistët jugosllavë, në Jug monarko-fashistët grekë, në Perëndim neofashistët italianë dhe që të gjithë punojnë dhe konspirojnë kundër Republikës sonë Popullore, ata provokojnë në çdo çast dhe do të vazhdojnë të provokojnë edhe më shumë, do të përpiqen të krijojnë incidente, shantazhe, prandaj varet nga ne që të bëjmë një politikë të vendosur dhe të matur, të ruhemi dhe të evitojmë provokacionet, të mos biem në kurthin e tyre.[cxvii]
Në këtë rrethanë regjimi e pa të nevojshme që të bënte atë që në mënyrën e tij e shikonte si ndërprerje e luftës që kishte ndërmarrë ndaj fshatarësisë, me zbatimin e politikës së «komunizmit të luftës», prej vitit 1946. Kjo politikë për më tepër tashmë kishte dështuar që të jepte rezultatet e pritura nga regjimi. Vetë regjimi do ta pohonte këtë gjë në instruksionin e dërguar ngaKomiteti Qendror partisë për sistemin e ri të grumbullimit dhe të furnizimit, në janar 1949, ku thuhet për sistemin e mëparshëm, të përdorur që nga viti 1946:
Sistemi që u përdor pas çlirimit të Shqipërisë, ja merrte fshatarit të gjithë drithin, duke i lënë vetëm racionin e bukës, gjë që ishte jo e drejtë. Duke kërkuar të grumbullonim gjithçka që i tepronte fshatarit kemi rënë në konflikt me të, kemi rënë në burokratizëm, u kemi lënë vend hatëreve dhe akraballëqeve dhe së fundi nuk ka qenë kurrë e mundur të sigurohet fondi i grumbullimeve të shtetit. Por mbi të gjitha ky sistem ka thyer vullnetin e fshatarit për të prodhuar sa më shumë drithra. Por me gjithë këto gabime, kjo urdhresë në atë kohë ishte e nevojshme dhe solli shërbime.[cxviii]
Në këto rrethana, regjimi i Hoxhës bëri atë që mund të quhet si karikatura e NEP-it leninist. Fshatarit nuk do t’ i merrej më i gjithë prodhimi duke iu lënë një sasi e llogaritur sipas numrit të anëtarëve të familjes, por do t’ i vihej një tatim fiks në natyrë, ndërsa pjesën tjetër të prodhimit në dukje mund ta dispononte lirisht. Në 18 janar 1949 Komiteti Qendror i PPSH lëshoi një udhëzim për sistemin e ri të grumbullimit dhe të furnizimit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale:
Pa përjashtim të gjithë fshatarëve u hiqet triska. Për fshatarësinë sistemi i ri i furnizimit mbështetet mbi sistemin e shkëmbimit reciprok, d.m.th. për të tërhequr artikuj industrialë dhe përgjithësisht mallra të racionuara, fshatari duhet të dorëzojë prodhime bujqësore ose blegtorale (drithë, mish, vezë, bulmetra etj). Shteti do të caktojë proporcionin e shkëmbimit të mallrave. Është e kuptueshme se dorëzimi i detyrimeve që fshatarët kanë ndaj shtetit si drithi, ulliri etj., nuk vlen për shkëmbim pse është si një taksë që i jep fshatari shtetit.[cxix]
Fshatari fitonte të drejtën që të shkëmbente prodhimet e veta me mallra industriale në atë që u quajt tregu reciprok, vetëm pasi të kishte përmbushur detyrimet ndaj shtetit:
Pra fshatari për të tërhequr mallrat e racionuara duhet të dorëzojë tepricat (pasi të ketë kryer detyrimet ndaj shtetit) si dhe çdo prodhim tjetër që nuk e kap grumbullimi i detyruar si veza, qumshti, mjalti etj.[cxx]
Por që të funksiononte sistemi duhej që tregu shtetëror i quajtur reciprok të furnizohej nga shteti me mallrat e nevojshme për fshatarin. Në realitet nuk ndodhte aspak kështu. Hoxha do të thoshte në raportin e vet në Plenumin II të Komitetit Qendror, në 28 prill, tre muaj më vonë:
Shumë rrethe kanë nga tre-katër muaj që nuk kanë marrë kripë e vajguri, të cilat gjithashtu edhe këtu janë prodhime të vendit, që ne i kemi, por që nuk janë bërë përpjekje sa duhet që të prodhohen, të nxirren dhe t’ i ndahen në rregull popullit.[cxxi]
Në 24 dhjetor 1953, pesë vjet pasi shteti kishte marrë përsipër që të furnizonte fshtatrët me mallra industriale në tregun e planifikuar shtetëror, Hoxha do të thoshte në Plenumin IX të Komitetit Qendror:
Disa mallra të nevojës së parë për qytetin e fshatin janë zhdukur krejtësisht nga tregu si p.sh. veglat e imta për fshatarësinë (sqepare, drapinj, kosa, sharra, dara, gërshërë të ndryshme, bojra leshi etj.) Veç këtyre edhe disa artikuj që ekzistojnë në tre janë krejt të pamjaftueshëm. Kërkesa të mëdha paraqiten nga popullata për enë alumini, llamarinë të galvanizuar, poçeri, qelqurina, material ndërtimi si gozhdë, xham, litar, spango.[cxxii]
Shteti qartësisht nuk e kishte mbajtur fjalën ndaj fshatarit. Vetë Hoxha, kur kërkonte të gjente përgjegjësinë për këtë humbte në labirintin e problemeve të ekonomisë së planifikuar. Në Plenumi II të Komitetit Qendror, në 28 prill 1949, pra tre muaj pasi shteti mori përsipër që t’ i furnizonte fshatarët me mallra industriale, Hoxha do të thoshte:
Mungon organizimi i mirë në punë dhe kordinimi i punëve dhe i planeve me dikasteret e tjera. Kur është gati prodhimi, mungon transporti dhe kur s’ mungon transporti, mungon prodhimi. Kjo gjë ngjet sikur të jetë kurdisur dhe këtej dalin një sërë justifikimesh të padrejta, të cilat shkaktojnë që populli herë pas here të mbetet pa makarona, pa naftë, pa vajguri, pa kripë etj., dhe kur vijnë vaporët, për të eksportuar mallin që i detyrohemi BS ose vendeve të demokracisë popullore, ne s’ e kemi gjithë sasinë e caktuar.[cxxiii]
Fshatarit i mbetej vetëm tregu i lirë privat, i quajtur tregu i zi, për shkak të çmimeve shumë të larta. Por edhe atje mallrat qenë të pakta për shkak se shteti e kishte shkatërruar motorrin e tregtisë private në vend në vend, tregtinë me shumicë, duke bërë monopol shtetëror. Në këto rrethana, ngjante ironikisht e vërtetë ajo që thoshte regjimi për sistemin e ri të grumbullimeve:
Sistemi i ri i furnizimit do të shërbejë për të kufizuar elementin kapitalist në ekonomi.[cxxiv]
Regjimi e kishte kufizuar kapitalizmin në ekonomi, duke kufizuar vetë ekonominë! Sistemi i ri i grumbullimeve mbështetej në supozimin se fshatari do t’ i dorëzonte me dëshirë detyrimet për të fituar të drejtën që të bënte tregti në tregun reciprok shtetëror. Por fshatari e dinte se në tregun reciprok nuk gjente gjë, kështu që nuk kishte stimul për të shlyer vullnetarisht detyrimet. Kjo gjë u vu re që në fillim të zbatimit të sistemit të ri të grumbullimeve. Në këto rrethana regjimi iu kthye metodave të dhunës, si dhe të nxitjes së fshatarëve kundër njëri-tjetrit. Në 15 shkurt 1949 Hoxha, në fjalimin që do të mbante në Kongresin I të Kooperativave bujqësore (atëherë qenë vetëm 56 të tilla, në rang fshati) iu rikthye dhe një herë çështjes së luftës kundër kulakëve, në një mënyrë veçanërisht ogurzezë:
Të mos harrojmë gjithashtu se në fshatin tonë ekziston një armik i vendosur dhe i egër i fshatarëve të varfër dhe të mesëm. Ky është kulaku. Këtë duhet ta luftojmë me ashpërsinë më të madhe dhe të mos ta lemë kurrsesi të ngrejë krye, të forcohet, të ngjallet dhe të na dëmtojë. Lufta e klasave në fshat duhet të bëhet dita-ditës dhe kjo të bëhet e organizuar. Nën udhëheqjen e Partisë dhe të klasës punëtore duhet të mobilizohen dhe të bëhen si një bllok i vetëm, fshatarësia e varfër dhe aleati i tyre, fshatari i mesëm.[cxxv]
Ishte një tregues i utopisë dogmatike fakti që vetë termi “kulak” ishte marrë nga rusishtja. Gjithashtu, ishte sinjifikuese që ende në vitin 1949, Hoxha detyrohej që të fliste si më poshtë:
Shumë vënë pyetjen: Cili është kulaku? Si mund ta bëjmë konkretisht dallimin e tij? Të kemi parasysh përcaktimin e të madhit Lenin, i cili në projektin e parë mbi çështjen agrare për në Kongresin II të Internacionales Komuniste thotë: «Fshatarësia e madhe përbëhet nga sipërmarrësit kapitalistë në bujqësi, të cilët e drejtojnë ekonominë e tyre sipas rregullit të përgjithshëm, duke pajtuar disa punëtorë me mëditje; ata i lidh me fshatarësinë vetëm niveli i tyre i ulët kultural, mënyra e jetesës, puna fizike personale në ekonominë e vet. Nga shtresat borgjeze kjo është shtresa më e madhe në numër dhe përfaqësuesit e kësaj shtrese janë armiq të drejtpërdrejtë dhe të vendosur të proletariatit revolucionar. Në gjithë punën e partive komuniste në fshat vëmendja kryesore duhet të përqëndrohet mbi luftën kundër kësaj shtrese, mbi çlirimin e shumicës punonjëse dhe të shfrytëzimit të popullsisë së fshatit nga ndikimi ideologjik i shfrytëzuesve».[cxxvi]
Që e gjithë kjo ishte antikushtetuese, se Kushtetuta përcaktonte nismën e lirë ekonomike dhe të drejtën e pronës private, për këtë Hoxhës as që i bëhej vonë. Por problemi kryesor ishte se Lenini, më lart, fliste për realitete agrare krejt të ndryshëm nga ai i Shqipërisë së kohës kur fliste Hoxha. Në Rusinë e kohës kur fliste Lenini, për shkak të sipërfaqeve të mëdha të tokës bujqësore që disponoheshin, në rajone të caktuara kishte një numër të madh fshatarësh të cilët zotëronin sasi relativisht të mëdha toke në krahasim me të tjerët. Në Shqipëri gjërat qenë krejt ndryshe, siç detyrohet që ta pohojë Hoxha, kur thotë më poshtë në të njëjtin fjalim:
Reforma agrare nuk i ka lënë kulakut përveçse një pjesë të tokës, që më të shumtat e herës është baraz me atë të fshatarit të mesëm.[cxxvii]
Regjimi ishte në krizë për të gjetur kulakë. Në qershor 1966 Hoxha, në bisedën me kryeministrin kinez Çu En Lai, në Tiranë, do t’ i jepte këto shifra për kulakët në fshatin shqiptar gjatë dhe pas reformës agrare:
Disa shifra që tregojnë këtë proces të kufizimit dhe të likuidimit të kulakëve:
Reforma agrare shpronësoi afërsisht 5000 kulakë (ekonomi kulake). Më 1947 mbetën edhe afro 2000 ekonomi kulake. Mbi këto ekonomi kulake tatimi ishte 50-100 përqind më i lartë nga i zakonshmi. Këtu s’ flasim për kufizimet e tjera, detyrimet, kufizimin politik. Më 1950-1951 u larguan nga fshati afërsisht 500 familje kulake.[cxxviii]
Në vitin 1949 kur fliste Hoxha, në Shqipëri nuk kishte as 2000 kulakë, një shifër tepër e vogël kjo. Hoxha, i cili pas një muaji kishte për të shkuar në Bashkimin Sovjetik, ku do të takohej me Stalinin, nuk mund t’ i thoshte atij se në Shqipëri kishte kaq pak kulakë. Prandaj duhej bërë një truk për të shpikur kulakë. Kështu që Hoxha tha në shkurt 1949:
Por nuk mund kurrsesi ta dallojmë kulakun vetëm nga toka që zotëron ai sot; atë duhet ta shohim edhe nga ana e mjeteve të prodhimit, si kafshët e punës, veglat, shtëpia ku ai banon, stallat, hauret, plevicat, lëmënjtë etj. Por karakteristika kryesore qëndron në atë që thotë Lenini, shfrytëzimi i punëtorëve mëditës ose hyzmeqarë, që përdor kulaku qoftë edhe në një periudhë të shkurtër.[cxxix]
Hoxha këtu bën një truk prej komediani duke e zgjeruar definicionin e Leninit, në mënyrë që ai ai t’ u përshtatet sa më tepër fshatarëve që të jetë e mundur në Shqipëri. Sipas definicionit enverian çdo fshatar në Shqipëri mund të shpallej kulak derisa pothuajse të gjithëve u ndodhte që të merrnin punëtorë me mëditje qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohe, në kohën ujitjes, mbjelljeve, korrjeve. Definicioni enverian bënte që fshatari të kishte frikë nga pasuria e vënë nëpërmjet punës së vet, se nëse shtonte kafshët, blinte vegla pune, ndërtonte stalla e haure më të mira se ato që kishte, ai rrezikonte të shpallej kulak! Shkurt, “kulak” ishte një stigmë me të cilën mund të shënohej çdo fshatar, qoftë edhe i varfër. E gjithë kjo bëhej që fshatarët të trembeshin dhe të shlyenin detyrimet e rënda që u kishte vënë shteti. Kulaku ishte një shënjestër për t’ u burgosur, internuar, vetë ose bashkë me familjen, duke iu konfiskuar edhe pasuria. Synimi ishte që në çdo fshat të shpalleshin kulakë, në fushata të llojit të gjuetisë së shtrigave, dhe pastaj këta të ndëshkoheshin, në mënyrë që të shërbenin si shembull për pjesën tjetër të fshatarëve se çfarë do t’ u ndodhte nëse shiheshin me sy të keq nga regjimi dhe nuk i bindeshin atij. Për këtë arsye, Hoxha e zgjeroi nocionin “kulak” në mënyrë aq absurde sa të shpallej ai fshatar që sot ishte i varfër, por që në të kaluarën kishte qenë ndryshe:
Kulaku identifikohet, gjithashtu nga e kaluara e tij e afërme dhe e largme, nga pikëpamjet e tij në atë kohë, marrëdhëniet me beun dhe qehallarët e tij, nga pasuria e tij e vjetër, nga mjetet e prodhimit, nga tregtia e tij që ka pasë bërë duke spekuluar dhe duke bërë tregun e zi. E kaluara rëndon mbi kulakun, kjo të mos neglizhohet në identifikimin e tij.[cxxx]
Këta njerëz sot qenë fshatarë të varfër, për shkak se u ishte marrë pasuria. Por ishte konvenuese që ata të shpalleshin kulakë, me të gjitha pasojat që vinte nga kjo gjë, se regjimi kështu kishte një përfitim të dyfishtë, edhe fuste në procesin e eliminimit ata që i shikonte si kundërshtarë politikë, edhe të bënte sa më tepër shembuj për pjesën tjetër të fshatarëve. Por, pavarësisht atmosferës së gjuetisë së shtrigave që kishte krijuar regjimi në fshat, protestat për gjendjen e keqe ekonomike të fshatarëve dhe represionin që shteti ushtronte ndaj tyre për të grumbulluar detyrimet, i erdhi masivisht regjimit, deri edhe nga ata që i konsideronte si bazën e vet në fshat, komunistët. Hoxhës i shkuan aq shumë letra sa ai, për të ndërprerë zërat, që të hiqnin dorë nga protestat, zgjodhi që një letre t’ i kthente një përgjigje të gjatë, e cila u shpërnda si një qarkore në të gjitha organizatat e partisë në vend. Kjo është letra e famshme e Hoxhës e datës 16 mars 1949, e cila mban titullin hermetik «Mbi disa probleme në fshat» dhe shënimin sqarues «Letër e hapur dërguar rreshterit Safet». Rreshteri Safet Malaj, të cilit i drejtohej letra, ishte një komunist, ish-partizan, i cili qe liruar nga ushtria dhe qe kthyer në fshatin e vet të lindjes, Lapulec, në Mallakastër[cxxxi]ku pasi kishte parë gjendjen e mjeruar të fshatarit, i shkroi letër Hoxhës. Përgjigjia e Hoxhës për rreshterin Safet na zbërthen më së miri personalitetin e Hoxhës si shtetar. Hoxha shkruan në përgjigjen e vet:
Me mbrojtë tezën se «katundari ynë është i pakënaqur sa s’ ka ku të vejë më» është jo vetëm gabim, por kjo është një tezë armike dhe pa asnjë bazë. Ka me të vërtetë një shtresë katundarësh që s’ janë aspak të kënaqur nga kjo gjendje, që nuk kanë përfituar nga kjo situatë dhe janë të egërsuar dhe të zemëruar sa s’ ka më. Kjo shtresë katundarësh janë kulakët. Kjo është e vërtetë. Pra, me mbrojt tezën se «katundarët tanë janë të pakënaqur sa s’ ka më», është të mbrosh tezën e kulakut, të biesh në pozitat e kulakut.[cxxxii]
Ironia është se katër vjet më pas, vetë Hoxha, pas kthimit nga Moska, ku pasuesit e Stalinit e qortuan pikërisht për këto gjëra që shkruante rreshteri Safet, do të pohonte pikërisht këto që thoshte rreshteri Safet dhe do të detyrohej të merrte vendime për ndreqjen e tyre. Është e qartë se, si në kohën kur shkruante rreshteri Safet, ashtu më pas, pa përmendur periudhën para sistemit të ri të grumbullimit, gjendja e fshatarësisë ishte rënduar në kulm dhe fshatarësia ishte e armiqësuar me regjimin. Është domethënëse se Hoxha arrin deri atje sa ta konsiderojë praktikisht kulak edhe këtë komunist që i flet kështu:
Ju më flisni në letër, sigurisht, padashur dhe pa u thelluar, me gjuhën e një kulaku dhe jo si një anëtar Partie. Ju po luftoni sistemet e reja dhe të drejta të grumbullimit të bereqetrave dhe të mishit, që ka shpallur Partia dhe qeveria dhe që juve jua ka vënë për detyrë të parë t’ i zbatoni me përpikmërinë më të madhe.[cxxxiii]
Këtu paralajmëroheshin të gjithë komunistët që ankoheshin si rreshteri Safet, se ata do të shpalleshin kulakë, nëse vazhdonin të bënin këtë gjë. Por më poshtë vetë Hoxha pohon se sistemi i ri i grumbullimeve nuk mund të zbatohej, se shteti nuk qe në gjendje të përmbushte detyrimet që kishte marrë përsipër ndaj fshatarit, për të furnizuar tregun reciprok. Kështu, Hoxha shkruan më tutje në letrën e vet për rreshterin Safet:
Kanë munguar edhe prodhimet e fabrikuara në treg, ku ai (fshatari- K.M.) mund të blente ose të bënte shkëmbimin. Ky faktor i fundit ka rrjedhur nga puna e qeverisë armiqësore të Titos, e cila i shkeli të gjitha detyrimet dhe krijoi një anarki në tregun tonë. Në këtë anarki u futën edhe katundarët e mesëm bile edhe të varfër, që bënë lodrën e kulakut tamam në momentet më të rënda, nga ku kalonte vendi ynë. Puna armiqësore e jugosllavëve në Partinë tonë pati reperkursionet e veta dhe në ekonominë tonë. Ky ishte qëllimi kryesor i Titos dhe i agjentëve të tij, për ta krijuar këtë krizë ekonomike që kështu Partia jonë të gjunjëzohej dhe të pranonte diktatin e shërbëtorëve të imperializmit, siç janë Titua me shokët e tij. Çmimet e prodhimeve bujqësore u ngritën. Po të jap disa shembuj: në tregun e Tiranës gjalpi shitet jashtë 1300 lekë kilogrami, pulat 350 lekë, gjeli i detit 1500 lekë, vezët 15 lekë, preshtë 40 lekë kilogrami etj. Vetë do të pranosh se kjo është kriminale dhe e padurueshme. Kjo është puna e armikut, këto janë konsekuencat e punës armiqësore të trockistëve jugosllavë dhe shërbëtorëve të tyre.[cxxxiv]
Nga fjalët e mësipërme të Hoxhës kuptohet se cila ishte e vërteta e gjendjes ekonomike të popullsisë në fshat dhe në qytet. Hoxha, si një komedian i vërtetë, për këtë gjendje fajëson jugosllavët dhe shërbëtorët e tyre në Shqipëri. Por ai vetë kishte qenë kryeshërbëtori i tyre në Shqipëri. Hoxha, më tutje, pohon se e gjithë fshatarësia, do të thotë mbi 80% e popullsisë së vendit, ishte kundër regjimit:
Trockistët dhe kulakët, me punën e tyre armiqësore, kanë arritur ta influencojnë katundarin e varfër dhe të mesëm në këtë drejtim më shumë nga Partia jonë. Këtë situatë duhet ta njohim, se ndryshe nuk mund të ecim përpara dhe do ta vemë Partinë tonë në gjumë.[cxxxv]
Nëse llogariten edhe se regjimi kishte armiqësuar pjesën më të madhe të popullsisë së qytetetit, e cila jetonte në një mjerim të panjohur as në kohën e luftës, mund të thuhet se regjimi, i cili e kishte shpallur veten «pushtet popullor», e shpallte popullin armik! Hoxha shkruan më tutje në letrën e vet për rreshterin Safet:
Nuk është e vërtetë se katundari, sikundër pretendoni ju, është armiqësuar nga mungesa e kripës dhe vajgurit! Patjetër ai dëshiron t’ i ketë dhe ka të drejtë, ashtu sikundër ka të drejtë edhe ai punëtori të ketë mishin, preshin dhe fasulet.[cxxxvi]
Kështu, pesë vjet pas «çlirimit» katundari nuk kishte kripë, ndërsa punëtori nuk kishte presh e fasule. Në këto rrethana, regjimi qëndronte në fuqi vetëm falë represionit dhe terrorit. Nga përgjigjia që Hoxha i çon rreshterit Safet, kuptojmë terrorin që ushtrohej ndaj fshatarësisë për t’ a shtrënguar që të përmbushte detyrimet e rënda ndaj shtetit:
Sa me mendjelehtësi e gjykoni urdhëresën e grumbullimit të mishit shoku komunist Safet! Cila është ajo urdhëresë që e detyron fshatarin të çojë kaun e vetëm për të shlyer detyrimin, që ka ndaj shtetit? Nuk ekziston një urdhëresë e tillë. Por po ta gjykosh nga pozitat e kulakut ose e një katundari tjetër që s’ ka asnjë perspektivë dhe që kërkon të numërojë në vend dhe të lindë dhe të vdesë me një ka në derë, atëherë ekziston ajo urdhëresë dhe ai fshatar do të dëmtohet.[cxxxvii]
Hoxha pohon se fshatarit i konfiskoheshin deri edhe kafshët e punës nëse nuk shlyente detyrimet, të cilat në fakt qenë aq të rënda, sa nuk qenë njohur në regjimet e kaluara. Hoxha më lart pohon se kështu penalizoheshin fshatarët dembelë, të cilët nuk shtonin kafshët e tyre, por harron se më lart ka thënë se nga numri i kafshëve do të varej cilësimi kulak i fshatarit. Hoxha shkruan më poshtë në përgjigjen për rreshterin Safet, duke mbrojtur detyrimin në mish për fshatarësinë, sipas sistemit të ri:
Sistemi i ri i grumbullimit të mishit për hektar dhe për kokë do të sigurojë grumbullimin e sasisë së nevojshme të mishit për plotësimin e nevojave të masave punonjëse të qytetit.[cxxxviii]
Tashmë fshatari po të donte mund të mos mbante bagëti, por ai duhet të dorëzonte detyrimin në mish, sipas sasisë së tokës që kishte, qoftë edhe duke blerë mish, ndryshe rrezikonte të shpallej kulak, me të gjitha pasojat që vinin nga kjo. Hoxha tha në kongresin e kooperativave bujqësore, në 15 shkurt 1949:
Një fshatar nga Vithkuqi i Korçës, të cilit i kërkohej detyrimi, në vend që të jepte drithin e caktuar, bënte ofensivë çdo mëngjes në Komitetin ekzekutiv të Korçës, me kalamanët për dore duke kërkuar misër nga pushteti. Kur i thuhej këtij fshatari se jo vetëm që s’ mund t’ i jepej misër, por duhej të paguante detyrimin, ai përgjigjej: «aherë merrni kalamanët», ose «na lini të vdesim për bukë». Ndërkaq, kur ai po luante këtë komedi, organet e pushtetit i gjetën në shtëpi misër dhe grurë, deri për muajin e qershorit.[cxxxix]
Por, derisa në Korçë, si vend malor që është, gruri korret në fund të korrikut, fillim të gushtit, ndërsa misri në shtator-tetor, atëherë del se fshatari në fjalë nuk kishte vërtet bukë deri në korrjet e reja, madje edhe pa paguar detyrimin. Nëse do të paguante dhe detyrimin, do të mbetej pa bukë që në dimër.
Letërkëmbimi i Hoxhës me rreshterin Safet Malaj tregonte se tashmë regjimi i tij kishte humbur edhe mbështetjen e asaj pjese të shoqërisë shqiptare tek e cila kishte gjetur bazën e vet të fuqisë në luftën për pushtet, gjatë Luftës së Dytë Botërore, fshatarësia e Toskërisë. Regjimi tash mbështetej vetëm tek nomenklatura sunduese dhe e mbante nën kontroll popullin me anë të represionit dhe terrorit. Operacioni i dimrit i regjimit kundër fshatarësisë, u shoqërua me një shkallëzim të represionit në përgjithësi. Fryma e krijuar nga dënimi i Xoxes bëri që prokuroria dhe gjykatat hezitonin që të jepnin dënime për krime politike, me frikën se mos akuzoheshin për koçixoxixëm. Në këtë rrethanë Hoxha, në fillim të vitit 1949 do të shprehej se qenë vënë re shënja oportunizmi në veprimtarinë e prokurorisë dhe gjykatave, në ngritjen e akuzës dhe dënimin e atyre që supozohej të kishin kryer krime të rënda politike dhe ekonomike me konotacion politik. Prandaj, me vendim të Byrosë Politike të KQ dhe të qeverisë, në fillim të vitit 1949, u krijua një Komision i Posaçëm, i kryesuar nga sekretari i KQ, Spahiu, për të kontrolluar veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatën e Lartë Ushtarake, e cila kishte në kompetencë krimet e rënda politike dhe ekonomike (me cilësim politik), si për të pandehurit ushtarakë, ashtu dhe civilë.[cxl] Kjo rritje e represionit dhe terrorit që po bënte Hoxha tregonte se sa hipokrit kishte qenë ai kur kishte fajësuar Xoxen për terrorin e viteve 1944-1948.
Në 1949 amerikanët dhe britanikët filluan një operacion subversiv në Shqipëri duke hedhur qindra desantë në vend, të cilët duhet të nxitnin një kryengritje për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Operacioni, i cili do të vazhdonte katër vjet dështoi për shkak se agjenti sovjetik Kim Philby, i cili ishte kordinatori i MI-5 pranë CIA-s, në Ëashington, dekonspiroi operacionin në Moskë, nga ku i shkuan Tiranës të dhënat e sakta për hedhjen e desantëve nga ajri. Hoxha pretendon në kujtimet se kjo ndodhi vetëm për shkak të zotësisë së Sigurimit të Shtetit:
Radioloja jonë e famshme, zgjuarsia, e drejta dhe vigjilenca revolucionare e popullit shqiptar dhe jo meritë e një farë Kim Filbi, siç llomotit ndonjëri, bënë të dështonin me turp planet e armiqve të jashtëm.[cxli]
Vetë Kim Philby, në një intervistë që dha në 1988, do të pohonte rolin e tij në dështimin e këtij operacioni:
Agjentët që ata çuan në Shqipëri, ishin të armatosur dhe të vendosur të kryenin akte sabotazhi dhe vrasje. Prandaj, nuk provoj keqardhje, që ndohmova në asgjësimin e tyre; ata e dinin ç’ bënin dhe ku shkonin.[cxlii]
Por desantët nuk do të vrisnin njerëz të pafajshëm, por kriminelët e regjimit represiv dhe terorrist komunist, të cilët qenë përgjegjës për genocid ndaj popullit shqiptar. Por aspekti i vërtetë skandaloz dhe tragjik i kësaj historie është se, sipas të gjitha gjasave, në fakt operacioni ishte konceptuar që të dështonte nga britanikët dhe amerikanët. Britanikët nuk mund t’ i besonin Kim Philby-t detyra aq të larta, duke ditur të shkuarën e tij komuniste. Vetë Philby shkruan në kujtimet:
Vështirësia tjetër qëndronte në faktin se si paraqitej karriera ime. Sa më shumë që mendoja për të, aq më pak më pëlqente. Ajo niste me lidhjen e njohur nga të gjithë me organizatat e majta në Kembrixh dhe veprimtarinë komuniste ndoshta të njohur në Vienë; pastaj vinte «ndarja» e plotë me miqtë e mi komunistë, gjë që u pasua menjëherë nga «miqësia» me nazistët në Londër, dhe në Berlin; më vonë, nga të gjitha vendet e mundshme unë zgjodha Spanjën frankiste, për të bërë karrierë gazetari, e më pas hyrja në shërbimin sekret me ndihmën e Burgess-it dhe specializimi për punë antisovjetike dhe antikomuniste; dhe së fundi, dijenia për të gjitha veprimet që duhej të merreshin kundër Donald Mclean-it dhe arratisjes së tij; ishte një tablo shumë e frikshme.[cxliii]
Shërbimi sekret britanik vepronte në rrafsh global, dhe sigurisht që kishte qenë në dijeni edhe për veprimtarinë e britanikëve në Vienë, ashtu që edhe për militimin e Philby-t në rrethet komuniste në Vienë. Britanikët dhe amerikanët e kanë ditur që Philby ishte agjent sovjetik, por e kanë toleruar, madje promovuar në poste të larta, ashtu që ta përdornin si kanal për t’ u dhënë sovjetikëve informacione të cilat britanikët dhe amerikanët donin që Moska të mendonte se qenë sekrete të cilat kinse po i zbulonte vetë. Operacioni subversiv i dështuar në Shqipëri ishte llogaritur për të rritur kreditin e Philby-t në Moskë. Vetëm kështu mund të shpjegohet racionalisht fakti që njeriut me të shkuar të njohur komuniste si Philby iu dha akces në një operacion antikomunist. Kjo manovër u kushtoi jetën qindra vetëve të cilët u angazhuan në këtë operacion, si dhe u kushtoi shumë vite burgu dhe internimi të afërmve të tyre.
[i] po atje: f. 433-434
[ii] po atje: f. 435
[iii] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 438
[iv] po atje: f. 438
[v] po atje: f. 439-440
[vi] po atje: f. 444
[vii] po atje: f. 445
[viii]po atje: f. 452
[ix] po atje: f. 455
[x] po atje: f. 452-453
[xi] po atje: f. 455
[xii] po atje: f. 456
[xiii]po atje: f. 456
[xiv] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 471
[xv] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 456
[xvi] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 467
[xvii]po atje: f. 467
[xviii] po atje: f. 468
[xix] po atje: f. 468
[xx] po atje: f. 468
[xxi] po atje: f. 468
[xxii] po atje: f. 471
[xxiii] Arkivi Qendror i Shtetit: Fondi 14/Arkivi i Partisë. Viti 1948, Dosja 80, fleta 1
[xxiv]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 482
[xxv] po atje: f. 490
[xxvi] po atje: f. 494
[xxvii] po atje: f. 490-491
[xxviii]po atje: f. 491
[xxix] po atje: f. 496
[xxx] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 173
[xxxi] po atje: f. 170
[xxxii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 469
[xxxiii]po atje: f. 481
[xxxiv]po atje: f. 474-475
[xxxv]po atje: f. 475
[xxxvi]po atje: f. 477
[xxxvii]po atje: f. 481
[xxxviii]po atje: f. 481
[xxxix]po atje: f. 482
[xl]po atje: f. 483
[xli] po atje: f. 495
[xlii]po atje: f. 477
[xliii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 576-577
[xliv]«PPSH: Dokumente kryesore», Instituti i Historisë së Partisë pranë KQ të PPSH, Tiranë 1960, Vol. 1, f. 387
[xlv]po atje: f. 402
[xlvi]po atje: f. 403
[xlvii]po atje: f. 403
[xlviii] po atje: f. 403
[xlix] po atje: f. 388
[l] po atje: f. 389
[li]po atje: f. 398
[lii] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 507
[liii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 267-268
[liv] «PPSH: Dokumente kryesore», Instituti i Historisë së Partisë pranë KQ të PPSH, Tiranë 1960, Vol. 1, f. 451
[lv] po atje: f. 465
[lvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 5, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1970, f. 171
[lvii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 201-202
[lviii]po atje: f. 202
[lix] po atje: f. 202
[lx] po atje: f. 203
[lxi]po atje: f. 297-298
[lxii]«PPSH: Dokumente kryesore», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Volumi 1, f. 464-465
[lxiii]po atje: f. 485
[lxiv]Enver Hoxha: Vepra, vol 20, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 67
[lxv] «Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 208-209
[lxvi]po atje: f. 13
[lxvii]po atje: f. 209
[lxviii]po atje: f. 302
[lxix] po atje: f. 648
[lxx]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i Partisë, viti 1948, Lista nr. 1, dosja 20
[lxxi]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i Partisë, viti 1948, Lista nr. 1, dosja 15, fleta 2-3
[lxxii]«Dokumente kryesore të PPSH», Instituti i Historisë së Partisë pranë KQ të PPSH, Tiranë 1960, Vol. 1, f. 410
[lxxiii]po atje: f. 410
[lxxiv]po atje: f. 410
[lxxv]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 290
[lxxvi] «Fjalori Enciklopedik Shqiptar», Akademia e Shkencave e RPSSH, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1985, f. 426
[lxxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 4, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1970, f. 527
[lxxviii]«Kujtime për Enverin», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1988, Vol 1, f. 261
[lxxix]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 354
[lxxx]Enver Hoxha: «Raporte e fjalime: 1982-1983», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1985, f. 186
[lxxxi]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 555
[lxxxii] po atje: f. 400
[lxxxiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 66, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1989, f. 131
[lxxxiv]Enver Hoxha: Vepra, vol 8, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 369
[lxxxv]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 38
[lxxxvi]«PPSH: Dokumente kryesore», botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1960, Vol. 1, f. 408
[lxxxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 21
[lxxxviii]«Dokumenta dhe qarkore të Partisë Komuniste Shqiptare», Botimi i Komitetit Qendror të PKSH, Tiranë 1948, f. 181
[lxxxix]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 183
[xc] Gazeta «Zëri i Popullit», 12 prill 1985, f. 1
[xci] Nexhmije Hoxha: «Jeta ime me Enverin», Shtëpia botuese «Neraida», Tiranë 2001, vol. 2, f. 189-190
[xcii]Enver Hoxha: Vepra, vol 40, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1983, f. 324
[xciii]«Kujtime për Enverin», Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1988, Vol 1, f. 333
[xciv]po atje: f. 220- 221
[xcv]«Shënime për Kinën», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, Vol 2, f. 601
[xcvi]po atje: f. 601
[xcvii]po atje: f. 603
[xcviii]po atje: f. 603
[xcix]Enver Hoxha: Vepra, vol 68, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1989, f. 118
[c]Abdurahman Avtorkhanov: «Vdekja e Stalinit: komploti i Berias», Shtëpia botuese «Dituria», Tiranë 1992, f. 22
[ci] «Kujtime për Enverin», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1990, Vol 2, f. 283- 284
[cii] po atje: f. 286
[ciii]Abdurahman Avtorkhanov: «Vdekja e Stalinit: komploti i Berias», Shtëpia botuese «Dituria», Tiranë 1992, f. 22
[civ]«Shënime për Kinën», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, Vol 2, f. 602
[cv]Sulo Gradeci: «30 vjet pranë shokut Enver», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1986, f. 53-54
[cvi] po atje: f. 55
[cvii]po atje: f. 55
[cviii] Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i Partisë, viti 1948, Lista nr. 1, dosja 20
[cix]Dayrell Oakley-Hill: «Një anglez në Shqipëri», Shtëpia botuese «Koçi», Tiranë 2006, f. 185
[cx] «Kujtime për Enverin», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1990, Vol 2, f. 284- 285
[cxi] po atje: f. 297- 298
[cxii] po atje: f. 285- 286
[cxiii] «Shënime për Kinën», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, Vol 2, f. 611
[cxiv]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 264-265
[cxv]Enver Hoxha: Vepra, vol 68, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1989, f. 118
[cxvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 4, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1970, f. 255
[cxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 99
[cxviii]«PPSH: Dokumente kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol 2, f. 16
[cxix]po atje: f. 13
[cxx]po atje: f. 13
[cxxi]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 121
[cxxii]Enver Hoxha: Vepra, vol 11, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 156
[cxxiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 134
[cxxiv]«PPSH: Dokumente kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol 2, f. 14
[cxxv]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 15
[cxxvi]po atje: f. 16
[cxxvii]po atje: f. 17
[cxxviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 33, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1981, f. 120
[cxxix]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 17
[cxxx]po atje: f. 17
[cxxxi] Gazeta «Zëri i Popullit», 18 mars 1949, f. 1
[cxxxii]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 59
[cxxxiii]po atje: f. 61
[cxxxiv]po atje: f. 65
[cxxxv]po atje: f. 63
[cxxxvi]po atje: f. 79
[cxxxvii]po atje: f. 72
[cxxxviii]«PPSH: Dokumente kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol 2, f. 17-18
[cxxxix]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 31
[cxl]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i Partisë, viti 1949, dosja 56, fleta 25
[cxli] Enver Hoxha: «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 413
[cxlii]Kim Philby: «Lufta ime e heshtur», Shtëpia botuese «Onufri», Tiranë 2004, f. 263
[cxliii]po atje: f. 191





