PJESA E PESTË - KARIKATURA E SOCIALIZMIT NË NJË VEND TË VETËM




1.
«Sovjetikët e studiuan kërkesën tonë dhe na dhanë 20 milion rubla kredi dhe jo për një kohë aq të shkurtër sa e kishim kërkuar ne, po për katër vjet».

      Në mars 1949 Hoxha bëri vizitën e tij të dytë në Bashkimin Sovjetik, ku do të qëndronte nga 21 marsi deri në 11 prill. Dy ditë pas arritjes në Moskë, në 23 mars, ai u prit nga Stalini, në orën 22.5 minuta, sipas orarit nokturn stalinian. Në volumin nr. 6 të Veprave të Hoxhës, që përfshijnë periudhën kohore brenda së cilës është vizita në Bashkimin Sovjetik, nuk jepet as biseda mes Hoxhës dhe Stalinit në Moskë dhe as ndonjë bisedë tjetër atje. Hoxha tregon për të vetëm në kujtimet e veta. Hoxha kujton për momentet e para të takimit me Stalinin:
       Shoku Stalin na priti në zyrën e tij me përzemërsi të madhe. Pasi na takoi me radhë u ndal para meje:
-Më dukesh i hequr në fytyrë- m’ u drejtua- mos ke qenë sëmurë? Apo je i lodhur?
-Jam shumë i gëzuar dhe i lumtur që po takohem përsëri me ju- iu përgjigja.[i]
      Hoxha ishte dobësuar për shkak të dietës së rreptë që kishte filluar të mbante pas përkeqësimit të sëmundjes së diabetit. Stalini këtë herë tregohet disi sentimental me Hoxhën, për shkak se ky ishte shndërruar në një antititoist stalinist. Megjithatë, Stalini nuk e shpërbleu Hoxhën duke e njohur si partner ideologjik. Nga takimi nuk doli një deklaratë e përbashkët mes dy kryeministrave dhe sekretarëve të përgjithshëm. Hoxha që në fillim të bisedës preku çështje ideologjike, të konfliktit me Titon, por Stalini, në rastin e Shqipërisë ishte më i interesuar për aspektin fetar të çështjes. Sipas procesverbalit të bisedës:
       Hoxha thotë se letrat e partisë bolshevike, drejtuar KQ të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, dhe Rezolutat e Byrosë Informative e shpëtuan Shqipërinë nga katastrofa e pashmangshme.
Shoku Stalin pyet se ku mund të qëndronte kjo katastrofë.
Hoxha përgjigjet se nacionalistët jugosllavë ndiqnin qëllime të caktuara që drejtoheshin kundër BRSS, kundër kampit demokratik antiimperialist, kundër vetë Shqipërisë.
Shoku Stalin shton: Edhe kundër myslimanëve.
Hoxha është i një mendjeje.[ii]
      Kuptohet se Stalini, për arsye propagandistike, ishte i interesuar që atë që ndodhi mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ta shikonte si një konflikt fetar, ku udhëheqja komuniste jugosllave, e krishtere për nga përkatësia fetare, kërkonte që të rrëzonte udhëheqësin musliman të Shqipërisë dhe ta zëvendësonte me një të krishterë ortodoks. Hoxha, i cili nga një anë shprehet se e ndan këtë pikëpamje të Stalinit, në anën tjetër, kur ky i fundit e pyet për shifrat e përbërjes fetare të popullsisë në Shqipëri, i jep një përgjigje që mendonte se do t’ i shkonte pas shijes Stalinit. Në procesverbalin e takimit thuhet:
       Shoku Stalin pyeti nëse ka shumë ortodoksë në Shqipëri, si dhe persona që i përkasin një tjetër feje, të ndryshme nga ajo e myslimanëve. Hoxha përgjigjet se në Shqipëri ortodoksët përbëjnë 30-35%, katolikët 10-15%.[iii]
      Hoxha me vetëdije e rrit shumë shifrën e popullsisë së krishterë ortodokse, nga 20% çfarë ai e dinte mirë se ishte në 30-35%. Hoxha e bëri këtë se mendonte që Stalinit do t’ i pëlqente të dëgjonte se në Shqipëri kishte më tepër të krishterë ortodoksë, se ç’ kishte në të vërtetë. Por për Stalinin, për aq sa Shqipëria kishte interes, kishte interes si një vend musliman, i cili bënte politikë prosovjetike.
      Një nga arsyet e vajtjes së Hoxhës në Moskë ishte që të kërkonte ndihmë ekonomike nga sovjetikët për Planin e Parë Dyvjeçar që do të fillonte atë vit në Shqipëri, dhe për të cilin po bëhej një zhurmë e madhe propagandistike. Në 1 qershor 1949, Hoxha do të mbante në Kuvendin Popullor fjalimin ku paraqiti planin dyvjeçar 1949-1950:
       Për herë të parë në jetën e Republikës sonë Popullore po dilet me një plan ekonomik shtetëror dyvjeçar, gjë që përbën një sukses me rëndësi.[iv]
      Në lidhje me kërkesën për financim sovjetik për Planin dyvjeçar, Hoxha do të thoshte në fjalimin e mbajtur në në Plenumin III të KQ të PPSH, në 13 tetor 1949:
       arritëm të bënim një plan më të reduktuar në bazë të të cilit parashikonim deri në 40 milion rubla kërkesë kredie nga Bashkimi Sovjetik. Sovjetikët e studiuan kërkesën tonë dhe na dhanë 20 milion rubla kredi dhe jo për një kohë aq të shkurtër sa e kishim kërkuar ne, po për katër vjet. Me këtë ne muarëm një mësim që do të na bëjë tjetër herë t’ i bëjmë llogaritë ndryshe.[v]
      Këto fjalë nuk u bënë publike në kohën kur u thane, por vetëm pas 22 vjetësh, në 1971. Kështu, Hoxha i kërkoi Stalinit 40 milion rubla, ose 8 milion dollarë sipas kursit arbitrar sovjetik të rublës me dollarin (por 5 milion dollarë sipas një kursi më realist të cilin siç do ta citoj më tutje në këtë libër e jep pasardhësi i Hoxhës Ramiz Alia) për dy vjetët e planit dyvjeçar, dhe këto jo si ndihmë, por si kredi që do të paguhej brenda katër vjetësh. Hoxha priste që pas prishjes me Titon, Shqipëria e rrethuar të ndihmohej më tepër nga Bashkimi Sovjetik, dhe jo të trajtohej thjesht si një partner tregtar. Por nuk ndodhi kështu. Hoxha para se të nisej në Moskë, sigurisht që ishte porositur nga të dërguarit sovjetikë në Shqipëri që të mos kërkonte ndihma por kredi dhe kërkesat për këtë t’ i bënte modeste, se Bashkimi Sovjetik ishte në vështirësi, dhe ai mendonte se kishte bërë kërkesa mëse modeste. Por ndryshe mendonte Stalini. Stalini, duke reaguar sipas stereotipit të vet të vrazhdë dhe cinik e përgjysmoi shumën e kredisë së kërkuar dhe e dyfishoi kohën e akordimit të saj, në katër vjet. Kjo do të thoshte se ndihma sovjetike për Shqipërinë në vitet 1949-1953, do të ishte vetëm katër milion dollarë amerikanë, sipas kursit arbitrar sovjetik dhe dy milion e gjysmë dollarë, sipas kursit më realist. Kaq vlente të paguhej antititoizmi i Hoxhës.
      «Me këtë ne muarëm një mësim që do të na bëjë tjetër herë t’ i bëjmë llogaritë ndryshe» thotë Hoxha më lart, për mënyrën se si u prit në Moskë kërkesa e tij për ndihmë ekonomike. Të njëjtin mësim e kishte marrë dhe Tito para tij, dhe kjo kishte qenë arsyeja kryesore që i zhgënjyer u kthye nga Perëndimi, me të cilin i dilnin më mirë llogaritë. Hoxha edhe pse u zhgënjye nuk vendosi të bëjë të njëjtën gjë, por thjesht të ulë kërkesat. Komenti i mësipërm i Hoxhës zbulon gënjeshtrën e tij se në kohën e Stalinit u plotësohej çdo kërkesë për ndihmë, ndërsa në kohën e Hrushovit shumë kërkesa u refuzoheshin. Si një komedian i vërtetë, Hoxha nuk ka pasur turp që megjithë këtë realitet në marrëdhëniet sovjeto-shqiptare, të thotë në fjalimin e tij në mitingun në Tiranë me rastin e kthimit të delegacionit nga Moska, lavdërimet më të mëdha për ndihmën sovjetike.
      Bashkimi Sovjetik sigurisht që atëherë ishte në vështirësi, por jo aq sa të mos mund t’ i jepte Shqipërisë 40 milion rubla kredi, e cila në fund të fundit do të jepej me mallra sovjetike, që në pjesën më të madhe do të qenë makineri të përdorura. Jugosllavia ishte akuzuar nga Hoxha se në këmbim të mallrave të vlefshme që kishte marrë nga Shqipëria, kishte dhënë gjëra të përdorura, pa ndonjë vlerë të madhe. Të njëjtën gjë bënte dhe Bashkimi Sovjetik që i jepte Shqipërisë automjete dhe makineri plaçkë lufte. Deri atëherë Jugosllavia ishte akuzuar se, në vend që ta ndihmonte Shqipërinë, siç kishte premtuar, e kishte trajtuar thjesht si një partner tregtar. Tash dilte se të njëjtën gjë po bënte dhe Bashkimi Sovjetik. Hoxha, në fjalimin e vet në Plenumin III të KQ,  në tetor 1949, tha për bisedimet me sovjetikët gjatë vizitës së tij në Moskë, në mars-prill të atij viti:
       Sovjetikët na thanë se do të na dërgonin mallra konsumi në shkallën e shkëmbimeve tona. Kjo na detyroi t’ u bënim shumë shkurtime kërkesave tona.[vi]
      Bashkimi Sovjetik po e trajtonte Shqipërinë, jo si një demokraci popullore mike, por si cilindo vend kapitalist të botës, me të cilin bënte tregti. Stalini madje nuk e mirëpriti faktin që në Shqipëri ishte ecur shumë para në atë që në gjuhën leniniste-staliniste quhej ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit, domethënë në shtetëzimin e ekonomisë. Sipas procesverbalit të bisedës së zhvilluar mes Stalinit dhe Hoxhës, në 23 mars 1949:
       Shoku Stalin pyet nëse ekziston borgjezia tregtare kombëtare në Shqipëri.
Hoxha përgjigjet se në Shqipëri ekziston borgjezia tregtare, por ajo nuk zotëron as fabrika as shitore, as shtëpi. Të gjitha këto i janë marrë.
Shoku Stalin thotë se kjo nuk është gjë e mirë. Borgjezia kombëtare mund të ndihmonte në prodhimin e disa mallrave dhe të bënte edhe njëfarë tregtie, derisa të forcohet shteti, sidomos kur në radhët e kësaj borgjezie tregtare ka elementë që e çmojnë shumë lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Elementë të tillë atdhetarë në radhët e borgjezisë duhen shfrytëzuar, nuk duhen larguar…Në territorin e Shqipërisë nuk patën shkelur as trupa jugosllave, as trupa sovjetike. Prandaj dikush nga borgjezia kombëtare ka mbetur, në qoftë se shokët shqiptarë nuk i kanë shkuar të gjithë në satër. Nuk duhet larguar një borgjezi e tillë e cila është për pavarësinë e vendit dhe mund të të vijë edhe në ndihmë.[vii]
      Stalini këtu pohon tërthorazi se ato gjëra që kishte bërë Hoxha në Shqipëri duhet t’ i kishin bërë trupat jugosllave ose sovjetike, dhe shpreh dyshimin se Hoxha dhe të vetët mund të kishin qenë aq të dhunshëm sa ç’ do të kishte qenë ushtria jugosllave apo sovjetike. Por në fakt kështu ishte! Është me të vërtetë i jashtëzakonshëm ky episod ku Stalini pragmatik qorton një udhëheqës komunist se ka zbatuar manualin leninist-stalinist! Problemi për Stalinin ishte se një Shqipëri me ekonomi të shtetëzuar do të kërkonte të mbështetej tek ndihma sovjetike, të cilën ai nuk ishte i gatshëm t’ ia jepte. Prandaj Stalini nuk hezitonte që t’ i ofronte Hoxhës që të bënte praktikisht atë gjë për të cilën qenë fajësuar ata që u dënuan në gjyqet-spektakël të Moskës të viteve 1937-38. Stalini, duke e kuptuar se ato që po thoshte tingëllonin si një herezi ideologjike, prandaj e gjeti me vend që të bënte dhe një interpretim ideologjik, sipas mënyrës së vet, për të mbështetur idenë e tij:
       Bolshevikët rusë nuk kanë ndjekur një politikë të tillë. Në kohën e revolucionit Rusinë askush nuk e kishte pushtuar dhe askush nuk e kërcënonte, në qoftë se nuk do të marrim parasysh luftën kundër Gjermanisë. Pikërisht për këtë arsye revolucioni rus nuk ka patur karakter antiimperialist. Tehun e vet ai e kishte drejtuar brenda vendit. Prandaj ka një dallim mes ngjarjeve që kanë ndodhur në Rusi dhe ngjarjeve që po zhvillohen në Kinë, në Kore dhe në vende të tjera. Përderisa në Rusi nuk vihej re ndonjë kërcënim i drejtpërdrejtë nga jashtë, borgjezia kombëtare ruse e shpalli veten armike të papajtueshme të revolucionit. Lufta kundër saj zgjati disa vjet. Ajo thirri për ndihmë francezët dhe anglezët, ajo kërkoi ndihmën e intervencionit. Shokët shqiptarë nuk duhet të kopjojnë ato gjëra që kanë ndodhur në Rusi apo në vende të tjera. Ata duhet të kenë parasysh veçoritë e vendit të tyre.
      Në qoftë se në Shqipëri do të gjenden kapitalistë të vegjël, të cilët do të hapin ndërmarrje, shitore, apo punishte të vogla, atëherë atyre u duhet dhënë leje, t’ u vihen taksa, veçse mundësia u duhet dhënë të merren me tregti dhe me aktivitet industrial deri atëherë, sa të forcohet ekonomia e Shqipërisë. Kur kjo të arrihet, atëherë do të krijohet tjetër situatë dhe çështja e borgjezisë kombëtare mund të shtrohet përsëri.[viii]
      Kështu, vetë Stalini, si dishepull i të cilit Hoxha do ta mbante veten gjithë jetën, i ka bërë një kritikë të saktë dhe të drejtë atij. Në fakt situata e fuqizimit të ekonomisë shtetërore për të cilën flet Stalini nuk do të arrihej kurrë në Shqipëri sa ishte gjallë Hoxha, madje as sa kohë ekzistoi regjimi, kështu që ato që tha Stalini mbetën në fuqi për sa kohë që ekzistoi regjimi. Ironikisht, Hoxha, i cili më vonë do ta mbante veten si kampionin e mbrojtjes së Stalinit, do të ishte një antistalinist, sa i përket pikëpamjes së Stalinit për Shqipërinë. Këtë mësim të Stalinit Hoxha do ta harronte shpejt.
      Për të njëjtat arsye për të cilat Stalini e qortoi Hoxhën për shtetëzimin e përshpejtuar të ekonomisë në qytet, ai i preu Hoxhës hovin që kishte marrë për të kolektivizuar bujqësinë me ritëm të larta, sipas modelit stalinist. Në proçesverbalin e bisedës mes Stalinit dhe Hoxhës, në mars 1949, thuhet:
       Shoku Stalin thotë se shokët shqiptarë nuk duhet të nxitohen në krijimin e kolkozeve. Shqipëria është një vend i prapambetur. Madje në Bashkimin Sovjetik, në zonat malore, nuk janë krijuar kolkoze. Prandaj edhe Shqipëria nuk duhet t’ i krijojë tani për tani.[ix]
      Stalini këtë gjë e bënte për motive pragmatike, se bujqësia e kolektivizuar shqiptare do të kishte nevojë për mbështetje të madhe në teknologji të cilën duhet t’ ia jepte Bashkimi Sovjetik. Paradoksi është se Stalini, i cili bëri një genocid të vërtetë ndaj fshatarësisë sovjetike gjatë fushatës së kolektivizimit, e shpëtoi fshatarësinë shqiptare nga një masakër e këtij lloji, të cilën regjimi i Hoxhës do ta bënte për t’ u dukur një nxënës besnik i Stalinit. Kjo do t’ i kishte shumëfishuar shifrat e terrorit të regjimit të Hoxhës, dhe merita që kjo nuk ndodhi i shkon e gjitha Stalinit.
      Një tjetër çështje e rëndësishme për Hoxhën, të cilën ai e diskutoi me Stalinin, ishte ajo e rrezikut të huaj për regjimin e tij. Në procesverbalin e bisedës të marsit 1949 thuhet:
       Hoxha duke kaluar në çështjen greke, thotë se shokët shqiptarë do të dëshironin të dinin mendimin e shokut Stalin lidhur me problemin nëse Shqipërinë e kërcënon ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë nga ana e Greqisë, duke pasur parasysh provokacionet e vazhdueshme të trupave monarko-fashiste dhe lloj-lloj fjalësh për copëtimin e Shqipërisë.[x]
      Ajo çka e trembte Hoxhën ishte fakti se regjimi i tij pas prishjes me Jugosllavinë, kishte mbetur pa asnjë marrëveshje formale që t’ i siguronte mbrojtje. Në 9 prill do të jepej vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për atentatin ndaj anijeve britanike në Kanalin e Korfuzit, ku pritej që Shqipëria të shpallej fajtore. Hoxha kishte frikë se pas kësaj Britania e Madhe dhe Greqia, do të invadonin Shqipërinë. Ajo çka donte në të vërtetë Hoxha ishte që mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik të lidhej një traktat miqësie dhe aleance, si ai që ekzistonte mes Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera të ashtuquajtura demokraci popullore, me përjashtim të Gjermanisë Lindore, që ishte e pushtuar zyrtarisht nga sovjetikët. Kjo gjë do t’ i jepte regjimit të Hoxhës sigurinë që i mungonte. Përgjigjia e Stalinit ishte çangazhuese.
       Shoku Stalin thekson se të gjitha llafet për copëtimin e Shqipërisë janë sajuar me qëllim që t’ i trembin shqiptarët. Siç është bërë e njohur, pavarësia e Shqipërisë është siguruar nga deklarata e tri fuqive të mëdha: Amerikës, Anglisë dhe BRSS. Natyrisht deklaratën mund ta shkelin, por kjo nuk është një gjë kaq e lehtë. Për sa u përket grekëve të Caldarisit, atyre u janë prerë gjunjët dhe s’ kanë takat të flasin seriozisht për copëtimin e Shqipërisë. Në qoftë se shqiptarët do të sillen mirë, nuk do t’ i shajnë shumë  imperialistët, nuk do t’ i ngacmojnë dhe do të rrinë urtë, Shqipërinë askush s’ ka për ta prekur. Amerika dhe Anglia nuk duan që Shqipëria t’ i përkasë Italisë, se një gjë e tillë do ta fuqizonte Italinë; nuk duan që ajo t’ i përkasë Greqisë, se një gjë e tillë do ta fuqizonte Greqinë; nuk duan që Shqipëria t’ i përkasë Jugosllavisë. Për më tepër Amerika nuk do që Shqipëria t’ i përkasë Anglisë. Për këto arsye ata janë për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë.[xi]
      Stalini eviton të thotë se SHBA, aq më pak donin që Shqipëria t’ i përkiste Bashkimit Sovjetik. Kjo ishte arsyeja që Stalini e gjente me vend që t’ i mbante marrëdhëniet me Shqipërinë në një profil të ulët. Në mbledhjen e Byrosë Politike në 24 tetor 1957, kur u mor vendimi për bazën e Vlorës, Hoxha u shpreh se ofertën për t’ u ndërtuar në Vlorë një bazë ushtarake e përbashkët me sovjetikët dhe vendet e tjera komuniste, ia pati bërë dikur dhe Stalinit, por ky i fundit nuk e pati pranuar.[xii]Stalini e shikonte propozimin e Hoxhës si një ngacmim të panevojshëm për amerikanët. Është mjaft instruktive që të kqyret një memorandum amerikan i vitit 1949, nën dritën e refuzimit të Stalinit për të ndërtuar një bazë sovjetike në Vlorë. Fjalën e kam për një memorandum të Departamentit të Shtetit për Çështjet e Jashtme të SHBA, të datës 12 shtator 1949, për Shqipërinë, ku thuhet:
       BRSS ka interes të ruajë pozitën e tashme në Shqipëri. Kjo pozitë ka rëndësi për Bashkimin Sovjetik se Shqipëria ka një pozicion strategjik në hyrje të Adriatikut. Për Bashkimin Sovjetik Shqipëria ka rëndësi edhe për fushatën sovjetike kundër Greqisë dhe për trysninë sovjetike ndaj Jugosllavisë. Megjithëse Shqipëria është e veçuar gjeografikisht prej pjesës tjetër të bllokut sovjetik dhe do të jetë e vështirë të rezistojë ushtarakisht, sovjetikët nuk do ta abandononin lehtësisht atë, për shkak se kjo do të ishte një humbje e madhe prestigji për ta në botën sovjeto-komuniste.[xiii]
      Është e qartë se këtu jepet një version i gabuar i pikëpamjes strategjike sovjetike për Shqipërinë. Gjithashtu, e gabuar është dhe pikëpamja se Bashkimi Sovjetik po e përdorte Shqipërinë si bazë për aksionin ushtarak by proxypër ta bërë Greqinë komuniste. Përkundrazi, Stalini i urdhëroi shqiptarët që të ndërpresin mbështetjen për guerriljen komuniste greke, të cilën ata e kishin bërë deri më atëherë të nxitur nga jugosllavët. Pesë muaj para se të hartohej memorandumi në fjalë, në 25 prill 1949, ministri sovjetik në Tiranë, Çuvahin, do t’ i raportonte Moskës:
       Në përputhje me udhëzimet që mora nga Moska, sapo arrita në Tiranë më 25 prill, po atë ditë i bëra një vizitë Enver Hoxhës... E njoftova Enver Hoxhën se gjatë vizitës së paradokohshme të Zahariadisit në Moskë, atje qe arritur një marrëveshje për mundësinë e mbylljes së kufirit shqiptaro-grek që nga një maji dhe për ndërprerjen e çdo lloj ndihme për demokratët grekë përmes kufirit shqiptar. Me këtë rast i thashë se kalimi në territorin shqiptar, sipas mendimit të Moskës, mund të lejohet vetëm për anëtarët e veçantë të KQ të Partisë Komuniste të Greqisë dhe për luftëtarët e plagosur rëndë të Ushtrisë Demokratike të Greqisë. I vura në dukje Enver Hoxhës domosdoshmërinë e çarmatosjes dhe të internimit në thellësi të vendit të luftëtarëve dhe të oficerëve të Ushtrisë Demokratike të Greqisë, të cilët pas 1 majit do të mundohen të kalojnë në territorin shqiptar. Pasi e mori këtë njoftim, Enver Hoxha u bashkua plotësisht me mendimin e Moskës për këtë çështje. Ai dha garanci se porosia e Moskës do të respektohet me përpikmëri.[xiv]
      Që në prill 1949, shefi i Partisë komuniste të Greqisë, Zahariadhis është thirrur në Moskë, ku i është bërë e ditur se tashmë guerriljes komuniste greke do t’ i ndërpritet përfundimisht mbështetja nga jashtë, nga vendet e demokracisë popullore, në këtë rast Bullgaria dhe Shqipëria, për shkak të implikimeve ndërkombëtare që shkaktonte kjo gjë. Ajo gjë që ka vlerë në memorandumin amerikan në fjalë, është se me gjithë supozimin se Shqipëria po përdorej si një bazë sovjetike për të mbështetur penetrimin sovjetik në Greqi, përsëri rekomandohet:
       Që SHBA dhe vendet e tjera perëndimore të paralajmërojnë Greqinë dhe Jugosllavinë, në qoftë se është e nevojshme dhe kur është e nevojshme, që të mos ndërhyjnë në Shqipëri.[xv]
      Pra, megjithëse se Shqipëria, sipas pikëpamjes së këtij memorandumi, përbënte një kërcënim serioz për SHBA dhe aleatët e saj në Ballkan, përsëri kjo nuk ishte një arsye e mjaftueshme që SHBA të toleronin fqinjët e Shqipërisë që me këtë rast të ndërhynin ushtarakisht në Shqipëri dhe ta ndanin vendin mes tyre. Në fakt tek kjo pikëpamje amerikane qëndron përgjigjia për pyetjen që do të bënte ai një vit pas këtij takimi me Stalinin, në Konferencën II Nacionale të PPSH, në prill 1950:
       Ka njerëz në botë që bëjnë pyetjen: «Si mundi një popull i vogël siç është populli shqiptar, i rrethuar nga të katër anët me të tillë ujq fashistë që i vërsulen për ta coptuar dhe për ta mbytur, të rezistojë heroikisht, të luftojë në të gjitha frontet dhe të triumfojë?» Përgjegjja është e thjeshtë: populli shqiptar i udhëhequr nga Partia rezistoj, lëftoj dhe triumfoj dhe do të triumfojë kurdoherë mbi armiqtë e tij të jashtëm dhe të brëndëshëm pse egziston i madh, i fuqishëm dhe i pamposhtur Bashkimi Sovjetik dhe i madhi Stalin.[xvi]
      Përgjigjia për këtë pyetje është se në fakt qenë SHBA ato që mbronin ekzistencën e Shqipërisë dhe regjimi i Hoxhës përfitonte terthorazi nga kjo gjë.
      Hoxha, në takimin me Stalinin në mars 1949, u kujdes që t’ i jepte të kuptonte këtij të fundit se ai kishte ndjenja antiperëndimore. Është domethënës ky shkëmbim fjalësh mes të dyve, siç jepet në procesverbalin e bisedës:
       Shoku Stalin thotë se është gjë e mirë që njerëzit sovjetikë hipën në luftanijen e koracuar italiane dhe e sollën këtu. Luftanijen e sollën në rregull. Kurse kryqëzorin e drejtonin italianët. Ata e dëmtuan në Detin e Zi para se t’ ia dorëzonin Bashkimit Sovjetik. Shoku Stalin vëren se në këtë rast italianët vepruan si njerëz jo të mirë.
Hoxha përgjigjet se kështu ndodh gjithmonë me italianët.[xvii]
      Fjala është për anijet italiane që Bashkimi Sovjetik i mori si dëmshpërblim lufte pas Traktatit të Paqes me Italinë. Hoxha nuk do të mungonte edhe që të vendoste postulate për historiografinë shqiptare në sens antiperëndimor, siç bëri në 11 gusht 1950, kur në një artikull me titull «Sukseset e Republikës Popullore të Shqipërisë», të botuar në revistën e Byrosë Informative »Për një paqe të qëndrueshme, për një demokraci popullore», shkruante:
       Në Shqipërinë tonë ne kemi gjithashtu fusha prej të cilave më të mëdhatë shtrihen gjatë bregdetit Adriatik. Prej andej, nga Perëndimi, gjatë shekujve më të largët deri në Luftën e dytë botërore kanë ardhur invadorët kryesorë që janë orvatur të skllavërojnë popullin tonë të vogël, të shfarosin dhe ta pushtojnë atdheun e tij të shtrenjtë. Prej andej kanë ardhur legjionet e Romës; përmes atdheut tonë kalonte rruga e quajtur Via Egnatia; qytete bregdetare të vendit tonë kanë qenë pushtuar nga barbarët, nga venecianët dhe të tjerë.[xviii]
      Kështu, sipas Hoxhës, për Shqipërinë rreziku historikisht vinte nga Perëndimi. E tepërt t’ i hysh mundimit të argumentosh hollësisht se rreziqet dhe pushtimet më të mëdha e më dëmsjellëse të Shqipërisë kishin qenë nga lindja, që nga hunët, më pas në Mesjetë, sllavët, osmanët, si dhe në shekullin XX serbët, grekët, bullgarët. Gjithashtu Hoxha, në korrik 1950, në një shkrim për Gjergj Dimitrovin, që u përfshi në një libër për Dimitrovin, të botuar në Sofje, shkruan:
       Të dy popujt tanë kanë pasur mik dhe përkrahës të tyre, veç popujve të tjerë edhe popullin e madh rus, i cili i ka ndihmuar gjatë historisë së tyre të lashtë, në luftën për çlirimin e tyre kombëtar.[xix]
      Filosllavizmi i Hoxhës do të arrinte deri në absurditete qesharake. Në librin «Kalendar ushtarak», botim i Degës së Historisë Ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, në 1950 ka një frymë sllave të tejskajshme. Nga ngjarjet historike ushtarake shqiptare jepet vetëm vdekja e Skënderbeut. Asnjë nga betejat e Skënderbeut apo betejat e tjera të princave shqiptarë para dhe pas tij, si dhe betejat e tjera shqiptare të shekujve të mëvonshëm nuk jepet atje. Por, në anën tjetër jepen shumë ngjarje të historisë ushtarake ruse parakomuniste. Kështu në muajin prill thuhet se se në 5 prill 1242 trupat e Aleksandër Nevskit thyejnë invadorët gjermanë në liqenin Çudno, në 29 prill 1818 shënohet se vdiq Mihal Kutuzovi.[xx] Për muajin maj thuhet se në 18 maj 1800 ka vdekur mareshali rus Suvorov.[xxi]Për shtatorin thuhet se në 8 shtator 1380 filloi beteja e Kulikovos kundër tartarëve.[xxii] Për tetorin thuhet se në 2 tetor 1817 vdiq admirali rus Ushakov.[xxiii]Ministri i Jashtëm sovjetik, Molotov, në vitin 1955, do t’ i thoshte ambasadorit shqiptar në Moskë, Mihal Prifti, me sinqeritetin cinik stalinian:
       Si është e mundur që një popull si ai i Shqipërisë, që nuk është sllav, të ketë një dashuri kaq të madhe për Bashkimin Sovjetik?.[xxiv]
 Kjo ishte e mundur falë Tarasit-Herman. Me gjithë filosllavizmin dhe antititoizmin që tregoi Hoxha, ai u shpërblye shumë pak nga Stalini, siç kam treguar më lart, madje me kredi dhe jo me ndihma internacionaliste, që jepeshin falas. Ditën e kthimit të Hoxhës nga Bashkimi Sovjetik, në 11 prill, në Tiranë u mbajt një miting i madh ku Hoxha foli si pas kthimit nga pelegrinazhi në një vend mistik. Hoxha gënjeu paturpësisht kur tha:
       Ndaj kërkesave të delegacionit shqiptar, nga ana e udhëheqësve sovjetikë u tregua një mirëkuptim i madh dhe një kujdes i veçantë për të na përmbushur nevojat e popullit tonë në mënyrën më të drejtë, të dezinteresuar dhe të shpejtë.[xxv]
      Në të vërtetë vetë Hoxha do të pohonte në tetor, siç e kam cituar më lart, se kërkesat modeste për ndihmë ua kishin përgjysmuar sa i përket shumës së parave të kërkuara dhe sa i përket afatit të shlyerjes së borxhit. Hoxha nuk mund t’ ua fshihte shqiptarëve se Bashkimi Sovjetik nuk do të jepte ndihma falas, siç kishin dhënë amerikano-britanikët, por kredi, megjithatë ai, kur e përmendi me bujë të madhe kredinë, e gjeti me vend të mos tregonte shumën, por tha:
       Krediti që na akordoi Bashkimi Sovjetik në mënyrë bujare dhe me kondita të favorshme për popullin tonë është një bazë e shëndoshë për ngritjen e ekonomisë sonë, është mbështetje për përpjekjet e drejta, që bën dhe do të bëjë populli ynë për të ngritur industrinë e tij, për të rritur këtë industri, e cila duhet të shtojë dhe të zhvillojë pasuritë tona dhe të kënaqë kështu nevojat e popullit. Nga ana tjetër, qeveria sovjetike i akordon Shqipërisë me shkëmbim, mallra të konsumit të gjerë për nevojat e popullit dhe këto në kondita shumë të favorshme.[xxvi]
      Vetë Hoxha gjashtë muaj më pas në një mbledhje të mbyllur do të përgënjeshtronte veten për të dy këto gjëra, siç e kam cituar më lart. Por shqiptarët kuptuan se Hoxhën e kishin kthyer pothuajse duarbosh nga Moska, kur në korrik 1949 punëtorët të uzinës «Enver» në Tiranë, iu drejtuan Presidiumit të Kuvendit Popullor me një letër ku i kërkonin që të dekretonte emetimin e një huaje të brendshme që shtetasit i jepnin qeverisë për 20 vjet. Kuptohet se nismëtarët vepronin kështu me porosi të regjimit. Në një fushatë të dirigjuar nga regjimi, kjo inisiativë u përkrah në gjithë vendin dhe huaja e shpallur u nënshkrua për dy javë në korrik 1949. Kjo ishte një grabitje që populli i bënte regjimit, se më pas do të merrej «nisma» që t’ i falej huaja shtetit. Ajo që Hoxha nuk i tha popullit në mitingun e 11 prillit ishte se tashmë regjimi ishte i kapur si midis «Shillës» dhe «Karribdës» midis problemeve të ekonomisë së planifikuar dhe nevojës për të shlyer borxhet sovjetike. Në 13 tetor 1949 Hoxha do të thoshte në fjalimin e vet në Plenumin III të KQ të PPSH:
       Nga ana tjetër ky mosrealizim do të influencojë edhe në planet e ardhshme. Këtë vit ne jemi duke larë borxhin e 1948-s, mot do të lajmë të 1949-s, kurse në vitin 1951 do të fillojmë të paguajmë ratat e kredive, që na janë dhënë, prandaj po të jetë se këto të meta dhe gabime nuk i ndreqim që në vitin e ardhshëm, punët për popullin tonë nuk do të shkojnë mirë, ai do të vuajë dhe për këtë jemi ne përgjegjës para tij.[xxvii]
      Hoxha e ka fjalën për shlyerjen e kredisë që Bashkimi Sovjetik i kishte dhënë në 1947 dhe që do të shlyhej në vitet 1948-1950. Ndërsa në 1951 do të fillonte shlyerja e kësteve të kredisë së marrë në 1949. Sovjetikët pra nuk tregoheshin asfare zemërgjerë. Edhe pse nuk do të kishte ndihmë ekonomike konsistente sovjetike, Hoxha nuk hoqi dorë nga dogma staliniste e përqëndrimit të investimeve në industri. Në fjalimin në Kuvendin Popullor, në 1 qershor 1949, për paraqitjen e planit dyvjeçar, Hoxha tha:
       Në industri investimet kapin 26.61 përqind, në komunikacion 26.30 përqind, në miniera 20.17 përqind dhe në bujqësi 13.70 përqind. Pjesa që tepron, d.m.th. 13.22 përqind, investohet në gjithë sektorët e tjerë të aktivitetit shtetëror si 3.24 përqind në ndërtimet lokale, 1.80 përqind për shëndetin e popullit, 1.72 përqind për arsimin etj.[xxviii]
      Bujqësia, edhe pse me të merreshin mbi 80% e popullsisë, mbetej pas në investime, për shkak të politikës staliniste të industrializimit të sforcuar. Por, në rrethanat kur regjimit i mungonte ndihma e huaj ai nuk gjeti tjetër mënyrë përveçse t’ i rikthehej fshatarësisë, për ta detyruar që të paguante tributin për utopinë, të cilin ajo ajo bënte gjithçka për të mos e paguar. Fshatarësia ishte i vetmi grup i popullsisë që regjimi e shikonte se rezervë që mund të shfrytëzohej ende. Hoxha do të thoshte në Plenumin II të KQ të PPSH, në 28 prill 1949, pak kohë pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik:
       Me fshatarët jemi treguar dorëlëshuar, në grumbullimet, në pagimin e taksave, në moskërkimin nga ata të kontributit të madh për ndërtimin e vendit, në mosbërjen nga ana e tyre e sakrificave si të gjithë masat e tjera punonjëse të vendit tonë. Fshatarësia ka grumbulluar mjaft para, kjo ka bërë të ngrihet inflacioni, kjo ka bërë të shiten shpejt ose të mos gjenden aspak mallra dhe prodhime bujqësore në treg, por këto të shiten në treg të zi. Ne s’ jemi kundër përmirësimit të gjendjes ekonomike të fshatarit por kjo duhet të shkojë në rrugën normale ligjore dhe paralel me përmirësimin e gjendjes ekonomike të të gjitha shtresave punonjëse të vendit.[xxix]
      Kështu, mbi 90% e popullsisë së vendit shpallej përgjegjëse për gjendjen e keqe ekonomike, që në fakt ishte krijuar nga regjimi. Vetë tregu i zi ishte një krijesë e «Komunizmit të luftës», që kishte filluar të zbatonte regjimi me të ardhur në fuqi, në fillim në qytet dhe pastaj në fshat. Nëse fshatarët mund të bëheshin përgjegjës për ato që tha Hoxha më lart, kush do të bëhej përgjegjës se në industri gjërat shkonin jo më pak keq, punëtorët? Regjimi nuk mund ta bënte këtë gjë se klasa punëtore, proletariati qe e veshur me një aureolë mistike në ideologjinë komuniste. Prandaj, Hoxha, sipas shembullit të Stalinit, e kishte më lehtë të gjente sabotatorë armiq, të cilët bëheshin përgjegjës për këtë. Kështu, Hoxha, në 13 tetor 1949, në fjalimin e mbajtur në Plenumin III të Komitetit Qendror, do të thoshte:
       Duhet thënë se punët në Ministrinë e Industrisë nuk kanë shkuar mirë dhe sektori kryesor atje është ai i naftës… Në atë sektor ka punë armiqësore dhe këtë ne duhet ta zbulojmë, se është një situatë mjaft e vështirë.[xxx]
      Sabotimi konsistonte në atë që drejtuesit e industrisë së naftës dhe specialistët nuk po arrinin që të realizonin planin e nxjerrjes së naftës pa pasur teknologjinë që ishte planifikuar t’ u jepej:
       Sigurisht që mosardhja e disa veglave ka influencuar në mosrealizimin e planit dhe në çmobilizimin e punëtorëve, po këtu fajin e ka koka, drejtuesit dhe jo punëtorët nga të cilët kërkohet çdo gjë.[xxxi]
      Në sektorin shtetëror punët nuk shkonin keq vetëm në industri, por edhe në bujqësi. Në 23 dhjetor 1949, Hoxhës do të thoshte në mbledhjen e Byrosë Politike për gjendjen në bujqësi:
       Një detyrë e rëndësishme që na del është që sektori shtetëror i bujqësisë të bëhet shembull për sektorin privat. Ne kemi fermat, të cilat duhet të jenë një model, ku fshatari të shohë e të mësojë si punohet për të dalë bujqësia nga prapambetja, po përkundrazi ato janë shumë prapa.[xxxii]
      Konkluzioni i Hoxhës do të ishte kuptimplotë:
       Le të shtrojmë pyetjen: kur sektori i shtetit që e kemi nën kontrollin tonë shkon kaq keq, si mundet të flasim për sektorin privat?[xxxiii]
      Sa keq shkonte sektori shtetëror, për shkak të ngërçeve të ekonomisë së planifikuar, këtë më mirë se kushdo e përshkruante vetë Hoxha, deri edhe me episode anekdotike, të cilat i tregonte me natyrën e vet të pamposhtme prej komediani, si ky që do të tregonte në Kongresin II të PPSH në 1952:
       Për të transferuar një peshore nga një ndërmarrje në një tjetër i është dashur shokut Spiro Koleka të organizojë dy mbledhje ku merrnin pjesë çdo herë ay vetë dhe katër pesë ministra dhe nënministra, i është dashur të krijojë një komision me inxhnjerë dhe ekspertë të cilët t’ i dërgojë në vend të kqyrin këtë peshore, i është dashur të shkruajë gati 10 shkresa zyrtare dhe nj’ a 10 të tjera anekse.[xxxiv]
      Po në Kongresin II, Hoxha do të tregonte një tjetër çudi eksplicite të ekonomisë së planifikuar:
       Një bimsë e e errët e një shtëpie në Fier, e cila duhej- për depo ullinjsh, u bë një problem i dorës së parë. Njëri e kërkonte, tjetri s’ e jepte. Atë s’ e zgjidhi dot komiteti i Fierit, atë s’ e zgjidhën dot dy ministritë, po çështja u shtrua para dy nënkryeministrave deri sa u arrit të shtrohej dhe në mbledhjen e qeverisë.[xxxv]
      Megjithatë shqiptarët duhet të ngushëlloheshin se kishte edhe më keq, dhe këto qenë vendet ku po zbatohej Plani Marshall. Hoxha tha në Plenumin II të Komitetit Qendror në 28 prill 1949:
       Frutet e Planit imperialist Marshall janë katastrofale për popujt e Evropës Perëndimore. Pakti i Brukselit dhe Pakti i Luksemburgut nuk janë përveçse pakte agresive dhe lufte kundër kampit të socializmit.[xxxvi]
      Gjashtë javë pasi Hoxha kishte pranuar në letrën e tij për rreshterin Safet se regjimi i tij, pas pesë vjetësh në pushtet, nuk qe në gjendje t’ i jepte popullit as kripë, presh dhe fasule, u qante hallin vendeve të Europës Perëndimore se po u vinte e keqja nga Plani «Marshall». Madje Hoxha do ta tregonte natyrën e vet prej komediani, kur në prill 1950 do të thoshte në Konferencën II Nacionale të PPSH për vendet e Europës Perëndimore që kishin marrë ndihma nga Plani Marshall, dhe për vetë SHBA:
       Ne u urojmë kalamanëve të vendeve të marshallizuara dhe të Shteteve të Bashkuara të rrojnë dhe ata si ne.[xxxvii]
      Hoxha evitoi t’ u bëjë të ditur kalamanëve të vendeve të marshallizuara dhe të SHBA, se me çfarë do të jetonin derisa ai vetë pohonte se kalamanëve shqiptarë nuk arrinte dot t’ u siguronte as një standard minimal me kripë, presh e fasule. Hoxha kur i thoshte këto gjëra e kishte hallin se kalamanët shqiptarë po marshallizoheshin kundër dëshirës së tij për shkak se perëndimorët hidhnin ndihma nga ajri në Shqipëri për popullin. Prandaj Hoxha do të thoshte në Konferencën II të PPSH, në prill 1950:
       Imperialistët dhe spiunët e tyre shqiptarë, lëshojnë me aeroplanë ushqime të helmatisura, gjoja për popullin, gjoja se populli tonë vuan nga uria dhe s’ ka gjilpëra për t’ u qepur.[xxxviii]
      Ata që gjenin pako të tilla qenë të detyruara t’ i dorëzonin në polici ndryshe dënoheshin rëndë si agjentë të imperializmit. Këto ushqime pastaj çpaketoheshin dhe u shpërndaheshin familjeve të nomenklaturës.
      Në takimin që Stalini pati me Hoxhën në mars 1949, në Moskë, u interesua për herë të parë dhe për shqiptarët që banonin në trojet e tyre etnike në Jugosllavi. Në procesverbalin e bisedës mes tyre thuhet:
       Shoku Stalin pyet nëse ka shumë shqiptarë në Jugosllavi.
Hoxha përgjigjet se në Jugosllavi banojnë rreth një milion shqiptarë.[xxxix]
      Stalini, i cili vërtet nuk donte të ndërmerrte ndonjë gjë serioze për ta përmbysur regjimin ekzistues në Jugosllavi, megjithatë synonte që ta mbante Titon nën presion me anë të grupeve etnike, të cilët kishin si vende amë ato prosovjetike, siç qenë maqedonasit bullgarofonë, shqiptarët dhe hungarezët. Hoxha u instruktua në Moskë dhe pas kthimit prej saj, do t’ i rriste tonet duke paralajmëruar se në Jugosllavi do të fillonte një luftë partizane staliniste kundër regjimit të Titos. Në fjalimin që Hoxha mbajti në Kuvendin Popullor, në 1 qershor 1949, për paraqitjen e planit dyvjeçar, ai i bëri një interpretim të çuditshëm një propozimi jugosllav për tharrjen e Liqenit të Shkodrës:
       Trumbetimi i tharjes së Liqenit të Shkodrës nga Klika e Titos ka për qëllim të shmangë popullin e Malit të Zi nga preokupimi i tij kryesor, çlirimi sa më shpejt nga klika e Titos. Terrori është i madh, burgjet janë mbushur me patriotë, prandaj edhe mëria e popullit malazez kundër Titos është e madhe dhe do të vijë koha që malet e këtij vendi do të ndjellin në gjirin e tyre heronjtë e rinj të çlirimit të Jugosllavisë nga banda e trockistëve të Beogradit, heronjtë që ndjekin rrugën e lavdishme të Arso Jovanoviçit dhe që luftojnë nën flamurin e internacionalizmit kundër klikës nacionaliste të Titos, agjente e imperializmit, që po i bën varrin Jugosllavisë së re, për të cilën malazezët derdhën aq gjak.[xl]
      Pasi i qau hallin popullit malazez, Hoxha u kujtua të flasë edhe për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e trojeve të tjera në Jugosllavi:
       Të njëjtat masa barbare po merr klika e Titos kundër shqiptarëve të Kosovës, të Metohisë, të Maqedonisë e gjetkë. S’ mjaftuan krimet e pashembullta që janë bërë nga kral Aleksandri kundër kosovarëve, s’ mjaftuan krimet dhe vrasjet në masë të kosovarëve shqiptarë në pragun e çlirimit të Jugosllavisë të bëra nga klika Tito-Rankoviç, të fshehur nën maskën e komunistit. Tani kanë filluar më me egërsi persekutimet e shqiptarëve të Kosovës të cilët s’ gëzojnë asnjë liri.[xli]
      Shqiptarët e Jugosllavisë përmenden pas malazezëve si viktima të regjimit të Beogradit. Hoxha këtu foli për herë të parë për krime të partizanëve jugosllavë ndaj shqiptarëve, në prag të çlirimit të Jugosllavisë, duke i quajtur si gjëra të njohura, si krimet e kralëve serbë e malazezë. Por deri atëherë nuk kishte folur për genocidin sllavo-komunist ndaj shqiptarëve në vitet 1944-1945. Edhe këtë herë që foli nuk dha detaje. Kuptohet se këtë herë foli me urdhër të Stalinit. Po në fjalimin në Kuvendin Popullor, në 1 qershor 1949 Hoxha tha:
       Klika nacionaliste e Titos ka në plan shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës, ajo ka në plan mobilizimin e 7 kurave burrash kosovarë për t’ i shpërngulur nga vendi i tyre dhe për t’ i mbyllur të vdesin në ndonjë kamp me gjëmba nga Banati o nga Sllovenia.[xlii]
      Në fakt kjo gjë ishte bërë në 1945 me shqiptarët e Kosovës, të cilët madje kaluan nëpër territorin e shtetit shqiptar, por atëherë Hoxha heshti. Deklarata për mobilizimin e shtatë vitlindjeve të rezervistëve bëhej që të nxiteshin arratisje massive të shqiptarëve të Jugosllavisë në Shqipëri, ku pjesa më e madhe e tyre do të përfundonin në kampet e punës së detyruar, siç ndodhi me ata që erdhën. Hoxha vazhdoi më tej duke thënë fantazira të tilla për gjendjen e shqiptarëve të Jugosllavisë:
       Klika nacionaliste e Titos po nxit në Kosovë hasmëritë e vjetra dhe shovinizmin ndërmjet shqiptarëve, malazezëve dhe serbëve, të cilët persekutohen në të njëjtën mënyrë si shqiptarët. Burra të guximshëm dhe patriotë malazezë që mbrojnë popullin shqiptar të Kosovës nga klika e Titos, burgosen përnjëherësh dhe torturohen për vdekje. Me çdo kusht klika e Titos kërkon të pengojë vëllazërimin e shqiptarëve dhe të jugosllavëve, aq shumë i dëshirueshëm dhe shpëtimtar, pse vetëm kështu në një vëllazërim të ngushtë dhe të sinqertë në luftë kundër klikës së Titos, do të shpëtojnë popujt e Jugosllavisë nga katastrofa ku i çon Titua me shokë, pse vetëm kështu do të fitohen liria dhe të drejtat e ligjshme të popujve të Jugosllavisë dhe të shqiptarëve të Kosovës, Metohisë, Maqedonisë etj. Populli shqiptar është i bindur se vëllezërit shqiptarë të Kosovës do të bashkojnë të gjitha forcat e tyre me popujt vëllezër të Malit të Zi, të Serbisë etj., dhe së bashku me ta do ta dërmojnë klikën tradhtare të Titos, renegate e marksizëm-leninizmit dhe e kauzës së shenjtë të proletariatit.[xliii]
      Hoxha, duke thënë se shqiptarët e Jugosllavisë persekutoheshin njëlloj si serbët e malazezët, çka ishte një trillim absurd, abuzonte me shqiptarët e Jugosllavisë për interest ë propagandës antitoiste staliniste. Këto deklarata të Hoxhës Tito i amplifikoi sikur paralajmëronin rrezikun e një agresioni sovjetik për Jugosllavinë, në mënyrë që të merrte më shumë ndihma nga Perëndimi. Në kuadrin e kësaj loje, në nëntor 1949 Jugosllavia denoncoi Traktatin e Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke me Shqipërinë të vitit 1946, të cilin Hoxha nuk e kishte denoncuar, se Moska nuk ishte kujtuar t’ ia thoshte këtë gjë. Beogradi, duke shkallëzuar politikën e ndarjes, në maj 1950 largoi personelin e Legatës së Jugosllavisë në Tiranë, si dhe kërkoi largimin e personelit të Legatës së Shqipërisë nga Beogradi, çka ndodhi në nëntor të atij viti. Qartësisht, në dinamikë të prishjes mes dy vendeve, qe Jugosllavia.
      Hoxha bëri një investim në bursën politike të Moskës duke bërë në Tiranë të parin gjyqeve-spektakël antititoiste, që do të pasohej nga një serial gjyqesh që do të zhvilloheshin në të gjitha kryeqytetet e vendeve satelite të Moskës, për t’ u kulmuar me sa duket në fund me një gjyq të madh në Moskë, të cilin Stalini nuk arriti që ta bënte dot se vdiq. Një muaj pas kthimit të Hoxhës nga Moska, në 10 maj 1949, në Tiranë filloi procesi gjyqësor ndaj Xoxes. Gjyqi nuk eci sipas skenarit sepse Xoxe deklaroi në gjyq për veprimet për të cilat akuzohej:
       Por unë të gjitha ia kam thënë Sekretarit të Përgjithshëm dhe kam marrë aprovimin e Komandantit.[xliv]
      Përralla sikur fajtor për terrorin e viteve 1944-1948 qe i keqi Xoxe, ndërsa Hoxha qe i miri, i cili e ndëshkoi për këtë gjë, qe një sajim i Hoxhës, sipas shablloneve të Stalinit, i cili pasi përdori homologët sovjetikë të Xoxes, Jagodën dhe Jezhovin, i eliminoi ata, duke e paraqitur veten si të mirin shpëtimtar. Gjyqi ndaj Xoxes do të ishte një gjyq-rrufe, sipas manualit të gjyqeve-spektakël të Moskës. Gjyqi vazhdoi më pak se një muaj, nga 11 maji në 10 qershor 1949. Masa e dënimeve për të pandehurit, që do të kërkonte prokurori, i cili qe politbyroist, si dhe dënimet që do të jepte gjykata, qenë përcaktuar paraprakisht nga Hoxha dhe Byroja Politike. Në 20 maj 1949, pak ditë pas fillimit të gjyqit, ministri sovjetik në Tiranë, Çuvahin i raportonte Moskës për një bisedë me Hoxhën atë ditë:
       Sipas fjalëve të Enver Hoxhës prokurori duhet të kërkojë dënim me vdekje për Koçi Xoxen, burgim të përjetshëm për Pandi Kriston, kurse të akuzuarit e tjerë Vaskë Kolecin, Nuri Hutën dhe Vango Mitrojorgjin gjykata duhet t’ i dënojë përkitazi me nga 10-15, 7-8 dhe 3-5 vjet burg.[xlv]
      Në 10 qershor u dha vendimi i gjyqit, sipas të cilit Xoxe u dënua me vdekje, me pushkatim, Pandi Kristo u dënua me 20 vjet burg dhe me punë të detyruar, Vaskë Koleci u dënua me 15 vjet burg dhe me punë të detyruar, Nuri Huta u dënua me 10 vjet burg dhe me punë të detyruar, Vango Mitrojorgji u dënua me 5 vjet burg dhe me punë të detyruar. Siç shihet, gjykata kishte bërë vetëm një zbutje dënimi të llogaritur paraprakisht për t’ u dukur «e pavarur» në rastin e Pandi Kristos dhe Nuri Hutës. Të nesërmen e shpalljes së dënimit, në 11 qershor 1949, sipas praktikës staliniane, Xoxe u ekzekutua. Gjyqi i Xoxes do të ishte i fundit gjyq-spektakël, pra që bëhej publikisht, ku do të dilte një udhëheqës i lartë i regjimit. Sipas manualit stalinian gjyqi qe një dështim derisa Xoxe nuk e pohoi fajin. Kështu që regjimi nuk bëri më gjyqe-spektakël të këtij niveli, por parapëlqeu që udhëheqësit e rrëzuar t’ i dënonte në gjyqe sekrete.
      Hoxha, pavarësisht nga ato që thoshte, në praktikë do t’ i trajtonte me indulgjencë koçixoxistët e dënuar, duke llogaritur se ata do t’ i qenë mirënjohës dhe do t’ i shërbenin. Ministri sovjetik në Tiranë, Çuvahin në 30 janar 1951 i raportonte Moskës se:
       ndihmësi i djeshëm i Koçi Xoxes në Sigurimin e Shtetit, Vango Mitrojorgji, papritmas u gjend në postin e drejtorit të kooperativave industriale të Tiranës.[xlvi]
      Vango Mitrojorgji ishte dënuar me pesë vjet burg në gjyqin e Xoxes, duke u trajtuar shumë butë po të konsiderohen krimet për të cilat akuzohej. Tash ai jo vetëm po lirohej, por po merrte një post që sillte shumë përfitime abuzive dhe që e bënte atë një pjesëtar të aristokracisë së regjimit.


2.
Sinjali pajtues ndaj ortodoksëve: goditja e tarafit musliman në Lushnjë
    
      Hoxha tashmë e kishte bërë shkollën e vështirë të intrigave dhe spastrimeve të politikës së lartë të regjimit, sa për të mësuar që të bënte skema të sofistikuara, ku konveniencat politike të ditës të regjimit, të kombinoheshin me konveniencat e tij personale për dobësimin dhe goditjen e klaneve që krijoheshin në udhëheqjen e vendit. Si një rast nga manuali enverian i kësaj mund të konsiderohet përdorimi shumëplanësh i goditjes së atij që u quajt tarafi musliman në Lushnjë.
      Eliminimi i Xoxes u përjetua nga të krishterët ortodoksë në parti dhe më gjerë si triumf i atij që quhej tarafi musliman në parti dhe në shtet, në luftën e muslimanëve kundër ortodoksëve. Në rrethanën kur marrëdhëniet me Greqinë qenë të tensionuara, Hoxha e shikonte të rrezikshme këtë gjë. Prandaj, ai, vendosi që për të bërë njëfarë kundërbalancimi, më tepër propagandistik se real, të bënte sikur ai ai mbronte të krishterët ortodoksë nga përpjekjet për dominim mbi tat ë muslimanëve. Për të bërë këtë shfaqje Hoxha zgjodhi Lushnjën. Në 23 korrik 1949, pak më tepër se një muaj pas dënimit të Xoxes, Hoxha do të bënte një «Letër dërguar organizatave të Partisë në lidhje me gabimet e vërtetuara në organizatën e Partisë të rrethit të Lushnjës».[xlvii]Në këtë letër Hoxha shkruan:
       Në organizatën e Lushnjës ka pasur një punë tarafesh shumë të theksuar dhe të dëmshme, që po të mos ishte diktuar në kohë nga Komiteti Qendror, mund të degjeneronte në forma të rrezikshme për Partinë… Me metoda jo të drejta dhe me pikëpamje politike jo të qarta, ata kujtonin se «rruga e drejtë» ishte hakmarrja, mbivlerësimi i meritave të tyre jashtë çdo mase dhe shumë herë i falsifikuar… Me këto metoda të sëmura luftonin midis tyre këto dy palë tarafe: tarafi i parë i Hasan Ginës, për t’ i eliminuar krejtësisht këta shokë dhe për të pasur vetë në duar drejtimin e Partisë dhe të pushtetit dhe tarafi i dytë për t’ u mbrojtur.[xlviii]
      Në rast se në paragrafin e mësipërm të cituar nga Hoxha, në vend fjalës «organizata e Lushnjës» do të vihej ajo «udhëheqja e partisë» dhe në vend të emrit të Hasan Ginës do të vihej ai i Hoxhës, ky do të ishte një përshkrim i saktë i asaj çka kishte ndodhur në parti në kohën e Xoxes dhe çka ndodhte ende. E vërteta ishte se partia dhe shteti drejtoheshin me tarafe që nga maja e piramidës deri në fund. E njëjta gjë ndodhte dhe në Lushnjë. Hasan Gina, të cilin e përmend Hoxha, ishte sekretar i parë i Komitetit të PPSH për Lushnjën. Për natyrën e dy tarafeve të mësipërme, Hoxha thotë:
       Në veprimtarinë e tarafit të Hasan Ginës dhe të Halit Ahmetit me shokë filloi të dukej dhe një tendencë e rrezikshme dhe karakteristike e luftës që zhvillon borgjezia kundër pushtetit tonë: çështja e dallimeve fetare. Karakteristike është se shumica e shokëve të sëmurë të këtij grupi janë me origjinë muslimane dhe presioni i borgjezisë që bëhej në këtë grup vinte nga elementi musliman i goditur. Një rigrupim i tillë ndofta inkoshient, shikohej edhe në grupin tjetër në opozicion me grupin e Hasan Ginës e të Halit Ahmetit me shokë. Në këtë grup antagonist janë shokë me origjinë të krishterë. Tendenca të tilla, që vërtetojnë metodat e luftës së borgjezisë, u shfaqën në këtë punë të sëmurë, që po zhvillohej në Lushnjë dhe kështu në forma indirekte shfaqej dhe organizohej fillimi i një përçarjeje në rrugë fetare.[xlix]
      Siç shihet Hoxha këtu është idulgjent me të krishterët ortodoksë, duke e quajtur tarafin e tyre si të krijuar në mënyrë të pavetëdijshme. Hoxha më tutje jep një të dhënë interesante për tarafin e krishterë:
       Tarafi në opozicion me tarafin e Hasan Ginës e të Halit Ahmetit me shokë përbëhet kryesisht nga elementë që kanë gabuar para Plenumit XI dhe që këta jo në rrugën e drejtë të Partisë kërkojnë të thyejnë tarafin e Hasanit, të forcojnë pozitat e tyre personale, të punojnë po me ato metoda të gabuara që lufton tarafi i Hasan Ginës.[l]
      Pra, është e qartë se bëhet fjalë për një aspekt të konfliktit mes Hoxhës dhe Xoxes. Pas goditjes së Xoxes u vu re një shtrëngim i radhëve i qartë i të krishterëve ortodoksë, të cilët duke e ndjerë veten të rrezikuar, po grupoheshin dhe mbështesnin njëri-tjetrin për ta mbrojtur, aq sa regjimi u alarmua seriozisht. Prandaj për t’ i qetësuar ata u simulua goditja e një tarafi musliman vendor, dhe kjo u propagandua me të madhe në të gjithë nivelet e partisë. Arsyeja kryesore për të cilën Hoxha zgjodhi Lushnjën për të dhënë këtë goditje ishte se tarafi musliman atje përbëhej kryesisht nga libohovitë, me banim në Lushnjë, të lidhur me njëri tjetrin që në kohën e krijimit të organizatës së parë ilegale të PKSH në Lushnjë, në 1942, dhe që tashmë qenë drejtuesit e partisë dhe pushtetit në Lushnjë, të ngritur falë mbështetjes së politbyroistes Belishova, e cila e kishte nënën libohovite. Belishova, e cila ishte nga Mallkastra, bënte përpjekje që të siguronte dhe një bazë fuqie personale në Libohovë, çka Hoxhës nuk i pëlqente për dy arsye. E para, Hoxha e shikonte Libohovën, e cila qe fare pranë Gjirokastrës, si domen i tij personal, aq më tepër që edhe shefi i fuqishëm i kabinetit sekret të tij, Haxhi Kroi, ishte libohovit. E dyta, Belishova ishte një politbyroiste në ngjitje të plotë, e cila mbështetej shumë nga sovjetikët, se ishte e veja e Spirut, i cili shihej si një martir prosovjetik.
      Pikërisht Belishovën do të çonte Hoxha, me diabolizmin e vet të zakonshëm, si të deleguar të Komitetit Qendror në Lushnjë, për të goditur tarafin libohovit atje. Me këtë Hoxha llogariste që të fuste një pykë dhe mes Belishovës dhe Shehut, të cilët qenë të dy nga Mallakastra. Hoxha e dinte se Belishova priste mbështetje nga Shehu në këtë rast, që të evitohej goditja e tarafit libohovit në Lushnjë, por Shehu do ta kishte shumë të vështirë që të mbronte Belishovën, se Hoxha do të përfitonte për ta paraqitur në një dritë të keqe para sovjetikëve. Hoxha e shikonte me shumë shqetësim fuqizimin e klanit mallakastrit në udhëheqje dhe kjo ishte vetëm fillimi i goditjes ndaj tij. Hoxha, kur godiste tarafin musliman në Lushnjë, krijonte përshtypjen sikur nuk ishte lokalist, se nuk po kursente as njerëzit e domenit të vet të ngushtë. Kur e vërteta ishte se ai po neutralizonte një ndërhyrje të Belishovës në këtë domen. Gjërat shkuan ashtu siç kishte llogaritur Hoxha. Shehu nuk e mbështeti Belishovën dhe këtu pati njëfarë ftohje mes tyre. Belishova e kryeu  detyrën që iu ngarkua, por ajo nuk do t’ ia falte kurrë Hoxhës këtë poshtërim që i bëri. Në Lushnjë u shkarkua krejt byroja e Komitetit të partisë, çka ishte në praktikë një barazim në status i ish-koçixoxistëve, me ata që konsideroheshin me partishmëri. Hoxha shkruan:
       Byroja Politike e Komitetit Qendror cakton byronë provizore të Komitetit të Partisë së Lushnjës me shokun Mihal Bisha si sekretar politik.[li]
      Mihal Bisha, një i krishterë ortodoks, do të shkonte në Lushnjë si prokonsull fuqiplotë dhe me këtë mision këtu filloi karriera e tij e famshme, që do ta bënte legjendar për drejtimin për disa dekada të zyrës së kuadrit në Komitetin Qendror të partisë. Në Lushnjë konflikti u zgjidh në favor të ortodoksëve.
      Dy ditë pasi Hoxha çoi letrën për çështjen e tarafeve në Lushnjë, në 25 korrik 1949, në mbledhjen e Byrosë Politike u shqyrtua raporti i komisionit të posaçëm, për të cilin kam folur më lart, të ngritur në fillim të vitit për të parë nëse kishte shfaqje oportunizmi në organet e drejtësisë. Në raport organet e drejtësisë kritikoheshin për «lëshime që shkojnë deri në oportunizëm nga e cila armiku ka mundur të përfitojë».[lii]
       Në fakt prokuroria dhe gjykatat kishin vepruar sipas frymës së zbutjes së represionit që u krijua pas dënimit të Xoxes. Goditja në raport përqëndrohej  ndaj mallakastritit Bilbil Klosi, kryetar i Gjykatës së Lartë Ushtarake. Derisa kryetar i komisionit të posaçëm kishte qenë Spahiu, njeriu i besuar i Hoxhës, atëherë kuptohej se goditja vinte drejtpërdrejt nga Hoxha. Kjo kuptohej dhe nga fakti se ministry i Drejtësisë Manol Konomi, miku i Hoxhës, dhe Prokurori i Përgjithshëm, Gaqo Floqi, trajtoheshin me indulgjencë, në krahasim me Klosin. Raporti në fakt ishte konceptuar si një ekspedient për të eliminuar Bilbil Klosin, i cili shihej si njeriu i Shehut. Çështja u shqyrtua në Plenumin  III të Komitetit Qendror, në tetor 1949, ku Shehu e mori në mbrojtje Bilbil Klosin, duke thënë se «ndonëse oportunizmin e ka prej natyre… të bëjë përpara Byrosë një autokritikë».[liii]
      Shehu e kishte të qartë se nëse heshtte edhe në rastin e Bilbil Klosit, sin ë atë të Belishovës, atëherë autoriteti i tij si shef klani do të shkatërrohej. Fuqia e vërtetë e një udhëheqësi të lartë komunist, përveç postit që mbante, qëndronte dhe tek pasja e një baze personale fuqie, që përgjithësisht vinte nga krahina e tyre e origjinës dhe zonat përreth. Shehu e kishte të qartë se Hoxha e kishte dirigjuar çështjen e Bilbil Klosit me prapamendimin diabolik që të përfitonte sido që të shkonin gjërat. Nëse Shehu nuk e mbronte Bilbil Klosin, atëherë, Hoxha do të përfitonte për të eliminuar një mbështetës të Shehut. Nëse ky i fundit do ta mbronte Bilbil Klosin, atëherë Hoxha do të hapte një të çarë në korracën e Shehut, duke kompromentuar disi reputacionin e tij prej një udhëheqësi që nuk e pranon assesi oportunizmin. Shehu e ndjeu thellë goditjen e Hoxhës, dhe e mori atë si një shpallje lufta nga Hoxha. Bilbil Klosi u shkarkua nga posti i kryetarit të Gjykatës së Lartë Ushtarake, por nuk pati pasoja të tjera. I trembur se mos arrestohej, ai i çoi një letër Hoxhës ku për të mbrojtur veten sillte si argumente dënimet me vdekje të dhëna në kundërshtim me ligjin, post factum, sipas urdhrave partiakë, për të legalizuar vrasjet e regjimit. Si shembull sillte rastin e vrasjes së 14 vetëve në Mirditë si raprezalje për vrasjen e Bardhok Bibës etj.[liv]
      Vrasja e Bardhok Bibës, kreut të partisë në Mirditë, për të cilën fliste Klosi, ishte një nga episodet e errëta të dhunës së regjimit. Bardhok Biba kishte zënë vendin e Haxhi Kroit në listën e atyre që në Kongresin I të partisë u zgjodhën anëtarë të Komitetit Qendror. Bardhok Biba, duke e ditur se nëse nuk zgjidhej Kroi, ai do të fitonte automatikisht, e ngriti zërin më së shumti ndaj tij. Si duket kjo u bë shkak për eliminimin e tij. Kjo nuk do të thotë se Bardhok Bibën e vranë njerëzit e regjimit, por ama ata e përgatitën situatën që ta vrisnin guerrilasit antikomunistë, duke mos i dhënë roje të forta shoqërimi Bardhok Bibës gjatë udhëtimeve të tij në zonat e thella malore të Mirditës.


3.
Enigma e gushtit 1949: arratisja e Enver Hoxhës gjatë msymjes greke

      Në gusht 1949, regjimi u gjend në një situatë shumë të vështirë, kur ushtria greke, duke ndjekur guerrilasit komunistë që humbën betejat vendimtare pranë kufirit me Shqipërinë dhe hynë në territorin shqiptar, depërtoi edhe ajo thellë në territorin shqiptar duke dashur që të krijonte një darë për t’ i kapur brenda nofullave të saj mbeturinat e guerriljes komuniste greke. Në librin «Historia e Shqipërisë», botim zyrtar i regjimit komunist, thuhet:
       Më 2 gusht 1949 monarko-fashistët grekë, të nxitur e të përkrahur nga imperialistët amerikanë filluan mësymjen kundër Ushtrisë Demokratike Greke (UDG) që luftonte për lirinë dhe vendosjen e demokracisë në Greqi. Në të njëjtën ditë ata ndërmorën edhe një sulm të hapur ushtarak ndaj RPSh… Provokacioni i 2 gushtit ishte vazhdimi i provokacioneve të mëparshme, por në një shkallë më të gjerë dhe prologu i një vargu të planifikuar e të kombinuar provokacionesh të rënda që vazhduan gjatë gjithë gjysmës së parë të muajit gusht nga repartet e rregullta të këmbësorisë, artilerisë dhe aviacionit grek në sektorët e Bilishtit, Leskovikut e Sarandës… Provokacionet e gushtit ishin një kërcënim dhe rrezik serioz për pavarësinë dhe tërësinë territoriale të RPSH. Monarko-fashistët u përpoqën, jo vetëm t’ i merrnin krahët UDG nëpërmjet tokës shqiptare, pro kryesisht të fusnin zjarrin e luftës edhe në Shqipëri, të masnin pulsin e aftësisë mbrojtëse të RPSh dhe, pot ë kishin mundësi, të realizonin politikën e tyre shoviniste për aneksimin e Korcës dhe të Gjirokastrës.[lv]
      Përpara sulmit të ushtrisë shumë më të fuqishme greke, të pajisur me tanke dhe avionë dhe të mbështetur fuqimisht nga artileria, mbrojtja e ushtrisë shqiptare u ça në të gjithë sektorët. Për disa ditë u duk se ushtria greke do të përsëriste edhe njëherë marshimin triumfator të vitit 1940, kur hyri thellë në territorin shqiptar, duke shtyrë ushtrinë e thyer italiane. Regjimi u rrëmbye nga paniku. Në 2 gusht, ditën që filloi mësymja ushtarake greke në stil të gjerë, Hoxha në fillim mendoi se ishte fjala për një nga inkursionet tashmë të zakonshme greke. Atë ditë Hoxha do të mbante një mbledhje të përbashkët të Byrosë Politike dhe të qeverisë për shqyrtimin e realizimit të planit ekonomik në gjashtëmujorin e parë të vitit.[lvi] Gjatë ditës Hoxha, pas të dhënëave të reja që mori e perceptoi situatën, duke e kuptuar se ishte fjala për një sulm në shkallë të gjerë. Hoxha, i kishte të qarta aftësitë e ushtrisë shqiptare, të armatosur keq, dhe që kishte fare pak tanke e aeroplanë, si dhe pak municion edhe për armatimin që zotëronte. Ndihma ushtarake sovjetike për Shqipërinë kishte qenë thuajse zero. Rreth dy vjet më vonë, në prill 1951, kur Hoxha u takua me Stalinin në Moskë dhe ky i fundit e pyeti për armatimin e ushtrisë shqiptare, Hoxha i tha:
       Tanket janë shumë të pakta, 25 gjithsej. Edhe aeroplanët janë të paktë. Ushtria shqiptare ka vetëm një skuadrilje aeroplanësh.[lvii]
      Një skuadrilje kishte 12 aeroplanë. Stalini nuk tha se Bashkimi Sovjetik do t’ i jepte Shqipërisë ndihmë ushtarake në tanke dhe avionë, apo në ndonjë gjë tjetër. Duket se Stalini mendonte se këto do të qenë para të shkuara kot se ushtria shqiptare sado e pajisur që të ishte nuk do të mund që ta përballonte sulmin e huaj. Në gusht 1949 ushtria shqiptare kishte sigurisht edhe më pak tanke dhe avionë se në 1951, kështu që as që mund të bëhej fjalë që ajo të përballonte sulmin e një ushtrie të armatosur me të gjitha llojet e armatimit modern si ajo greke, aq më tepër që ajo kishte qartësisht edhe mbështetjen e amerikanëve dhe britanikëve, posacërisht në aviacion. Hoxha mendoi se ushtria greke do të arrinte në Tiranë brenda pak ditësh. Por Hoxha i trembej edhe një desantimi masiv ajror përreth Tiranës të shqiptarëve antikomunistë, të cilët kishin filluar të hidheshin nga ajri në Shqipëri. Është fakt se në këtë periudhë nga më të vështirat për regjimin, nga 2 gushti në 15 gusht, Hoxha është zhdukur krejt. Nga seriali i Veprave të tij delse ai, pas mbledhjes së 2 gushtit 1949, u shfaq vetëm në 15 gusht 1949, në mbledhjen e përbashkët të Byrosë Politike dhe qeverisë për mbjelljet e vjeshtës.[lviii]
      A nuk duhej që Komandanti i Përgjithshëm të kishte shkuar në front, ose së paku afër tij dhe atje t’ u jepte zemër ushtarëve dhe popullsisë të zonave kufitare? Hoxha, i cili bënte sfilata me uniformë ushtarake prej general-koloneli nëpër tribuna mitingjesh e mbledhjesh tash që erdhi lufta, veproi njëlloj si në kohën e luftës partizane, kur qëndronte larg betejave. Ushtarët që u nisën me ngut në front nga i gjithë vendi, nuk e panë Komandantin e Përgjithshëm që duhet të ishte ai që t’ u jepte kurajë. Popullsia e zonave kufitare me Greqinë, e cila u largua masivisht në panik pas fillimit të luftimeve (qenë ende të freskëta në kujtesën e tyre kujtimet e masakrave greke) nuk e pa Komandantin e Përgjithshëm që duhet t’ i jepte kurajë. Hoxha, në mbrëmjen e 2 gushtit u largua me avion drejt Bashkimit Sovjetik së bashku me familjen. Atë ditë ai i kishte thënë Shehu se do të shkonte në Bashkimin Sovjetik që të kërkonte ndihmë. Por kuptohej qartësisht se Hoxha po arratisej. Cfarë ndihme do të kërkonte ai në Bashkimin Sovjetik, derisa midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik nuk kishte asnjë lloj traktati që ta obligonte këtë të fundit që t’ i jepte ndihmë ushtarake Shqipërisë. Në rast se bëhej fjala për të kërkuar ndihmë në armatime, kjo ishte qartësisht një absurditet. Ndihma në armatime mund të vinte në rrugë detare madje, edhe në rast se do të vinte, do të duheshin së paku dy javë që të vinte, do të thotë tepër vonë për të përballuar një sulm frontal grek. Pastaj vështirë se Hoxha mund të shpresonte se Stalini do të niste anije me armatime në Shqipëri, në kohën që Greqia kishte sulmuar atë. Anijet sovjetike mund të goditeshin nga grekët dhe ajo që ndodhi me anijet britanike në Kanalin e Korfuzit do të shërbente si shfajësim për grekët, të cilët do të thoshin se ata nuk kishin dorë në këtë dhe se anijet sovjetike e patën pësuar nga minat. Në fakt Stalini nuk nisi ndihma ushtarake në Shqipëri gjatë luftimeve shqiptaro-greke të gushtit 1949.  
      Në mungesë të Hoxhës, do të ishte Shehu ai që mori drejtimin faktik të luftës, duke shkuar në front dhe duke drejtuar mbrojtjen. Por sulmi grek, edhe pse në stil të gjerë, nuk u shkallëzua deri në invazion masiv, se pas të gjitha gjasave qenë amerikanët ata që i frenuan grekët që të invadonin Shqipërinë. Kur Hoxha pa se grekët nuk kishin ndërmend të shkallëzonin sulmin në invadim në thellësi të vendit, ai u kthye nga Bashkimi Sovjetik në 13 gusht. Të nesërmen ndodhi një ngjarje që Hoxhën do ta prekte dhe poshtëronte jo më pak se jo që ndodhi gjatë luftës partizane, kur Shehu në krye të tre batalioneve të brigadës së tij, përshkoi pikërisht atë itinerar që nuk arriti ta përshkojë Hoxha, të cilit iu shpërbënë forcat. Dikush, nuk u mor vesh kurrë se kush hapi fjalë në front se do të vinte Komandanti, pra Hoxha dhe u bënë të gjitha përgatitjet për ta pritur. Hoxha në fakt nuk kishte ndërmend të shkonte dhe nuk shkoi. Më pas u zbulua se dikush kishte telefonuar në shtabin e frontit nga Tirana dhe kishte dhënë lajmin. Hoxha e kuptoi se dikush ishte tallur me të dhe ky dikush nuk mund të ishte tjetër kush veç Shehut dhe njerëzve të tij. Petrit Dume, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm ishte njeriu që më së shumti u angazhua për të organizuar pritjen e Komandantit, gjë që Hoxha nuk ia harroi kurrë. Hoxha si Stalini ishte në gjendje që ta përmbante hakmarrjen për shumë vjet dhe pastaj ta linte të lirë në momentin që e gjykonte të përshtatshëm për eliminimin e viktimës së përzgjedhur.    
      E shumta që bëri Hoxha në atë periudhë ishte se në 2 shtator 1949 të merrte mundimin të shkonte deri në spitalin ushtarak të Tiranës për të vizituar ushtarët e plagosur në luftimet me ushtrinë greke.[lix] Hoxha u mbajti dhe një fjalim luftarak ushtarëve të plagosur. Në gusht 1949 regjimi shpëtoi sepse amerikanët e frenuan Greqinë, duke mos e lejuar që të shkallëzonte ndërhyrjen ushtarake në Shqipëri, deri në një okupim të Shqipërisë së Jugut. Ironia është se Hoxha, pas arratisjes së tij do të shpërblehej duke marrë gradën Gjeneral-Armate. Në 24 nëntor 1949, një ditë pas daljes së dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor për gradimin, gazeta «Zëri i Popullit» do të hapej me një titull të madh në faqen e parë:
       Rroftë Gjeneral-Armate Enver Hoxha[lx]      
       Gazeta javore «Rinia», e organizatës së rinisë, në 28 nëntor 1949, do të hapej me titullin:
       Gjeneral-kolonel Enver Hoxha, dy herë Hero i Popullit, Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të RP të Shqipërisë, gradohet Gjeneral-Armate.[lxi]
       Hoxha ishte graduar Gjeneral-kolonel në maj 1944, në Kongresin e Përmetit, si shpërblim për dezertimin në dimrin e vitit 1943-1944, dhe tash po gradohej si shpërblim për dezertimin në luftimet e verës, të vitit 1949!
      Në atë kohë Shqipëria e Veriut ishte shumë e trazuar. Atje u hapën fjalë se në luftë veç grekëve kishin hyrë dhe amerikanët të cilët kishin marrë nën kontroll Shqipërinë e Jugut dhe se Hoxha ishte arratisur nga vendi dhe fliste në radio nga Moska. Pushtetin e kishte Shehu i cili do të firmonte kapitullimin. Në këto rrethana Hoxha ndërmori në shtator 1949 turin e vet të parë të vizitave në Shqipërinë e Veriut, për t’ i dhënë mundësi popullsisë së atjeshme ta shihte fizikisht. Turi i vizitave u organizua si operacion ushtarak, dhe një pjesë e madhe e publikut që mbushi mitingjet përbëhej nga ish-partizanët grekë të ardhur në Shqipëri. Në janar 1950, Hoxha do të thoshte në një takim ballafaques me udhëheqësin komunist grek, Zahariadhis në zyrën e Stalinit:
       Refugjatët grekë ne i kemi marrë dhe i kemi transportuar në Shqipërinë e Veriut, ku me gjithë vështirësitë tona, na u desh t’ i furnizonim edhe me ushqime, pra të ndanim kafshatën e gojës me ta.[lxii]
      Këta ish-partizanë grekë, të cilët atëherë qenë disa dhjetëra mijë vetë, mbushën sheshet e mitingjeve të Hoxhës në Shkodër, Mirditë, Pukë, Lezhë, dhe më pas u përdorën për reprezalje mbi popullsinë shqiptare të kësaj zone, si italianët në 1943-1944. Në situatën e vështirë ku gjendej regjimi, Hoxha e gjeti me vend të flasë edhe për marrëdhënieve mes toskëve dhe gegëve, duke u mburrur se regjimi i tij e kishte zhdukur këtë dasi. Në 15 shtator 1949 Hoxha vizitoi qytetin e Shkodrës, me ç’ rast u mbajt një miting ku ai mbajti një fjalim që u quajt zyrtarisht «Fjala para popullit të Shkodrës dhe malësive». Në këtë fjalim Hoxha tha:
       Për Zogun, për bajraktarët dhe për feudalët e tij nuk ekzistonte ndjenja e unitetit të popullit shqiptar. Për këta xhelatë të popullit tonë, nuk ekzistonte politikisht një Shqipëri, por ekzistonte një Shqipëri e ndarë në toskë dhe gegë, në muslimanë, ortodoksë e katolikë, që i vinin në grindje me njëri tjetrin. Në regjimin e Zogut nuk vihej kurrë në hesap populli, por thuhej «këtu kena Gjon Marka Gjonin», këtu kena «Maliq begun», «atje kena Taf Kaziun», «atje kena Sali Myftiun», «ma tej kena Patër Anton Harapin» dhe kështu me rradhë të gjithë feudalët dhe tradhtarët e popullit. Në këtë mbështetej regjimi i Zogut për të mbajtur popullin në zgjedhë e robëri dhe për t’ ja shitur më në fund të tërë Italisë fashiste.[lxiii]
      Nëse regjimi i Zogut kishte qenë një sundim i gegëve, ku toskët kishin qenë të diskriminuar negativisht, Hoxha, i cili ishte tosk, nuk ishte sigurisht një shembull për këtë, madje ishte një shembull i kundërt. Hoxha ishte një tosk i diskriminuar pozitivisht nga regjimi i Zogut. Hoxha mori një bursë nga regjimi i Zogut për në Liceun e shumëpëlqyer të Korçës dhe më pas një bursë për studime të larta në Francë, edhe pse me notat që kishte nuk e meritonte. Ai edhe pse nuk i mori provimet e vitit të parë të universitetit, vazhdoi t’ i paguhej bursa për katër vjet dhe më pas iu dha një punë në diplomaci. Kur u kthye në Shqipëri, u bë mësues në shkollat e mesme të regjimit, edhe pse për këtë parapëlqeheshin ata që kishin një diplomë universitare, dhe që në atë kohë nuk mungonin. Regjimi i Hoxhës nuk e kishte zhdukur dasinë toskë-gegë, por e kishte acaruar atë shumë më tepër. Në kohën kur Zogu ishte mbret, kryeministri dhe kryetari i parlamentit do të qenë gjithmonë toskë, ndërsa që kur kishte ardhur regjimi komunist në fuqi, kryetari i shtetit dhe kryeministri patën qenë gjithmonë toskë. Nëse regjimi i Zogut kishte qenë gegocentrist i moderuar, regjimi i Hoxhës ishte padyshim toskocentrist ekstremist, pra regjimi i Hoxhës përbënte thjesht revanshin tosk. Regjimi i ri kishte nomenklaturën që ishte ekuivalenti i bazave të fuqisë personale që ekzistonin në kohën e Zogut dhe që i përmend Hoxha më lart. Madje Zogu ishte përpjekur seriozisht që bashkësitë fetare në vend të ndiheshin të përfaqësuara në pushtet, duke u dhënë të krishterëve ortodoksë dhe katolikëve poste të larta, ndërsa gjatë regjimit komunist, katolikët, një e treta e gegëve, do të qenë thellësisht të diskriminuar negativisht. Në fjalimin e mbajtur në Shkodër Hoxha do të thoshte:
       Merimanga e zezë e Vatikanit kishte endur pëlhurën e vet edhe në një skaj të Shqipërisë, pikërisht këtu në Shkodër.[lxiv]
      Kjo e folur në kohën e shkuar ishte një mburrje e qartë për goditjen ndaj klerit katolik, pjesa më e madhe e të cilit tashmë ishte e burgosur, e internuar, ose edhe më keq e pushkatuar. Në fjalimin e mbajtur në Shkodër Hoxha do të sulmonte Titon në terma vulgare:
       Titua i hapi dyert kapitalizmit amerikan, i cili po hedh në dorë vendet kyçe ekonomike, strategjike e politike të Jugosllavisë. Ai s’ është veçse një papagall pa pendë i imperialistëve amerikanë dhe një zbatues i paturpshëm i dëshirave të tyre kriminale e luftëdashëse.[lxv]
      Kjo gjë ushqeu humorin e pashoq shkodran, dhe që atë ditë filluan të dalin anekdota si ajo se ku qëndronte ndryshimi mes një papagalli amerikan dhe një papagalli sovjetik (me këtë të fundit aludohej për Hoxhën). Përgjigjia është se papagallit amerikan i japin të hajë mirë, ndërsa papagalli sovjetik, të cilit nuk i japin të hajë, çukit me sqep pendët e papagallit amerikan. 
      Në 18 shtator 1949 Hoxha vizitoi Mirditën dhe mbajti një fjalim në një miting në Rubik. Në atë kohë një pjesë e madhe e popullit të Mirditës qe internuar në kampet e punës së detyruar në Shqipërinë e Jugut, në Tepelenë. I patën hipur ironikisht në kamionë amerikanë të sjellë si ndihmë nga UNRRA për popullin shqiptar dhe i çuan në kampet e internimit, ku shumë prej tyre do të vdisnin nga uria dhe sëmundjet. Me rastin e vizitës së Hoxhës në Mirditë, një plakë mirditore me humor bëri një aforizëm humoristik, që aludonte për shijet seksuale të Hoxhës:
Ç’ asht ky princ i madh me emën,
 gjysa mashkull, gjysa femën.
      Rapsoden guximtare e morën njerëzit e Sigurimit të Shtetit, të cilët kishin infiltruar mes popullit të sjellë me detyrim në miting, dhe e çuan në qelitë e thella ku vargjet i saj nuk i dëgjonte kush veç minjve. Po në 18 shtator Hoxha vizitoi Lezhën ku mbajti një fjalim në një miting në qytetin e Lezhës, Milotin ku mbajti një fjalim në një miting në Milot. Turi i Hoxhës në Shqipërinë e Veriut do të përfundonte në mënyrë domethënëse me një miting në Urën e Zezë. Duket se Hoxha, duke mos arritur të mposhtte natyrën e vet prej komediani, e kishte zgjedhur në mënyrë shumë të përshtatshme emrin e vendit ku u mbajt mitingu i tij, për të treguar marrëdhëniet e regjimit të tij me Shqipërinë e Veriut. Lidhja midis regjimit dhe Shqipërisë së Veriut do të ishte një urë e zezë. Hoxha e shikonte Shqipërinë e Veriut si një koloni ku merrte mineralet, lëndën drusore, energjinë elektrike, si dhe krahun e lirë të punës për prodhimin e tyre, duke siguruar të ardhurat nga eksporti që i duheshin regjimit për mbijetesën e tij. Hoxha do të bënte fushata të zhurmshme propagandistike, gjoja për zhvillimin e Veriut, por në fakt regjimi i tij e pengoi zhvillimin e Veriut. Sigurisht që gjatë gjysmë shekulli u bë dicka, por shumë më tepër do të ishte bërë nëse zhvillimi i Veriut do të vazhdonte në kursin që kishte filluar gjatë monarkisë me financimet italiane, cka nëse Shqipëria nuk do të ishte bërë komuniste do të kishte vazhduar të bëhej me financime amerikane. Zhvillimi do të arrihej me anë të urbanizimit, të cilin regjimi komunist e frenoi. Është fakt se gjatë gjysmë shekulli të ekzistencës së regjimit komunist, në dy qytetet kryesore të vendit, Tiranë dhe Durrës u vendosën më pak njerëz nga Shqipëria e Veriut se c’ qenë vendosur në kohën  e pushtimit fashist italian. «Ura e Zezë» që lidhte Shqipërinë e Veriut me pjesën tjetër të vendit gjatë regjimit komunist, qe e mbyllur për njerëzit e Shqipërisë së Veriut.


4.
«Shoku Stalin më dha dy qeska me misër»

            Në nëntor 1949, Hoxha do të shkonte përsëri në Bashkimin Sovjetik. Kjo ishte hera e fundit që shkonte me avion se atë muaj Tito ndaloi trafikun ajror të Shqipërisë dhe drejt Shqipërisë mbi territorin jugosllav. Këtë herë Stalini i ofroi Hoxhës si ndihmë vetëm dy qese misër për farë:
       Me këtë rast Stalini kishte porositur personalisht të më sillnin disa qese me misër për farë nga të Gjeorgjisë.[lxvi]
      Mbi këto dy grushta misri gjeorgjian të dhuruara nga Stalini Hoxha do të ngrinte një legjendë të tërë eldoradoiane. Në  21 prill 1953 Hoxha do të thoshte në Kongresin II të kooperativave bujqësore, në Tiranë:
       Ju mundet që e dini se misri gjeorgjian, që ne mbjellim sot në fushat tona, është një dhuratë, e dhënë me dorën e vet, nga shoku Stalin. Para katër vjetëve, kur unë u ndava nga ai, shoku Stalin më dha dy qeska me misër, duke më thënë: «Jepua fshatarëve shqiptarë ta provojnë misrin tonë». Unë e mora këtë misër dhe e ndamë në kooperativat dhe fshatarët e dalluar. Shkuan dy vjet që kur ma dorëzoi këtë farë dhe shoku Stalin që nuk e kishte harruar më pyeti për fatin e tij. Unë e informova shokun Stalin, por përgjigjia më e mirë që do ta gëzonte shumë shokun Stalin, do të ishte fjala e së resë kooperativiste korçare, e cila këtu në Kongres tha se sivjet do të marrë 100 kv për hektar nga misri gjeorgjian. Misri i Stalinit, nga dy qeska të vogla që më dha dikur, është bërë tash me mijëra e me mijëra kuintalë në gjithë Shqipërinë.[lxvii]
      Hoxha, me natyrën e vet të pamposhtshme prej komediani na jep kështu atë që  mund të quhet si kuintesenca e ekonomisë së planifikuar. Stalini ia jep farën me dorën e vet homologut të vet të një vendi tjetër komunist dhe pastaj Hoxha ua jep kooperativistëve! E tepërt të thuhet, rendimentet e misrit që përmend Hoxha ekzistonin vetëm në letër, si pjesa më e madhe e arritjeve të ekonomisë së planifikuar. 
      Por Hoxha shumë vite më vonë do të përgënjeshtronte veten duke pohuar se ai kishte gënjyer në 1953, në kongresin e kooperativave bujqësore, për historinë e misrit të Stalinit. Hoxha rrëfen kështu në librin e vet me kujtime «Me Stalinin», për takimin me këtë të fundit në Moskë, në prill 1951:
       Pastaj më pyeti duke qeshur:
-Ç’ bëtë me farën e misrit gjeorgjian që ju dhashë, e mbollët apo e hodhët nga penxherja?
Ndjeva që u skuqa se më zuri ngushtë dhe i thashë që e kemi shpërndarë në disa zona, por nuk jam në dijeni të rezultateve.[lxviii]
      Stalini sigurisht që e kishte harruar me kohë historinë e qeseve të misrit, por atë me siguri ia kishin kujtuar para takimit cinovnikët, të cilët i kishin bërë raport për cështjet të cilat qenë ngritur në takimet e kaluara. Stalinit, si gjithë diktatorëve, i pëlqente të krijonte përshtypjen se mbante mend detajet më të imta të cështjeve të diskutuara më parë. Hoxha, këtu mori një mësim sa i përket kësaj manie prej diktatorësh dhe më pas do ta ushtronte me shumë pasion, duke krijuar mjaft situata zbavitëse. Gjithsesi, fakti që Hoxha kishte harruar të interesohej deri edhe për fatin e qeseve të misrit të Stalinit, fliste shumë për metodën e punës së Hoxhës si shef i një vendi me ekonomi të planifikuar. Ai më tepër i shikonte veprimet e tij si gjeste propagandistike. Edhe pse detyra e shefit të një vendi me ekonomi të planifikuar do të thoshte që ai të ishte kryeadministratori i ekonomisë, ai nuk sillej kështu. Kur këtë gjë nuk e bënte në rastin e farës së misrit që i kishte dhuruar Stalini me dorën e tij, mendo për të tjerat. Në 20 tetor 1979 Hoxha, në Shkodër, në atë që quhet takim me kuadro të Partisë, të pushtetit, të ekonomisë, të kulturës, të artit, të organizatave të masave e të ushtrisë të rrethit të Shkodrës, si dhe me disa kuadro drejtues të rretheve të Lezhës, Kukësit, Tropojës, Mirditës e Pukës, do të tregonte përsëri të zbukuruar përrallën e misrit të Stalinit:
     Një herë vajta te Stalini në Jaltë. Midis të tjerash, në bisedë e sipër, ai më pyeti: «Ç’ hani ju shqiptarët, bukë gruri apo bukë misri?» I thashë se ne i hamë të dyja, por më shumë konsumojmë bukë misri. «Shumë bukur, më tha ai, po çfarë misri keni?» Unë u ndodha shumë ngushtë dhe iu përgjigja: Farë të verdhë. «Sa i madh rritet misri në Shqipëri?» më pyeti përsëri Stalini dhe unë iu përgjigja me hamendje. «Nuk mund të shkohet kështu», më tha ai miqësisht. Dhe porosity gjeneral-kolonelin që kishte pranë: «Nesër t’ i japësh shokut Enver disa kile misër-hibrid». Të nesërmen në mëngjes oficeri i lartë më solli disa qese me misër hibrid dhe m’ i dha në prani të Stalinit, i cili më tha: «Të lutem, merri këto lloje misri dhe provoni si bëhen në Shqipëri». «Falemnderit, i thashë unë, sigurisht këto janë hibride shumë të vlefshme». Në atë kohë, të them të drejtën, unë nuk kisha shumë haber për hibridet e misrit. Kur u ktheva në Shqipëri, ua dhashë specialistëve të Ministrisë së Bujqësisë që t’ i shikonin dhe t’ i provonin.
    Shkuan kohë dhe unë vajta prapë te Stalini. Gjatë bisedimeve me të ai më pyeti: «Ç’ e bëtë misrin që ju dhashë, shoku Enver, e mbollët apo e hodhët nga dritarja?» Prapë u zura ngushtë dhe e ndjeva që u skuqa në fytyrë. Nuk më kishte vajtur mendja që ai do të më pyeste për misrin. «Shoku Stalin, i thashë, misrin e dorëzova në Ministrinë e Bujqësië, por nuk jam në gjendje që të raportoj ekzaktësisht për fatin e tij».[lxix]
      Komediani përgënjeshtron vetveten! Nuk dihet se sa është zemëruar Stalini për moskujdesin që kishte treguar Hoxha për dy qeset me misër që i dhuroi ai, por fakt është se kur në fund të atij muaji (nëntorit 1949) në Hungari u mbajt mbledhja e Byrosë Informative, për çështjen jugosllave, Shqipëria ishte i vetmi vend ku partia komuniste ishte në pushtet që përsëri nuk u ftua. Kjo kuptohet nga ajo që thuhet në komunikatën e mbledhjes për pjesëmarrësit në mbledhje:
       Në gjysmën e dytë të Nëndorit, në Hungari, u zhvillua Konferenca e Byrosë Informative me pjesëmarrjen e përfaqësonjësve: të Partisë Komuniste të Bullgarisë, nga shokët Çervenkov dhe Poptomov; të Partisë Punëtore të Rumanisë, nga shokët Gjeorgjiu Dezh, Kishinevski, Mogoborev; të Partisë të Punonjësvet të Hungarisë, nga shokët Rakoshi, Gero, Revai, Kadash; të Partisë Punëtore të Bashkuar të Polonisë, nga shokët Bernan, Zavaski; të V.K.P. (b)-së (Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik- shënimi im: K. M.), nga shokët Suslov dhe Judin; të Partisë Komuniste të Francës nga shokët Duclos, Fajon dhe Cogniot; të Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, nga shokët Stanski, Bashevacki, Kapritci, Geinberg dhe të Partisë Komuniste të Italisë nga shokët Togliatti, D’ Onofrio dhe Cicalini.[lxx]
      Nga mbledhja dolën disa rezoluta, ku në atë me titull «Mbrojtja e paqes dhe lufta kundër nxitësve të luftës», bëhej fjalë për një komplot amerikano-jugosllav kundër vendeve të kampit socialist:
       Politika e nxitjes nga ana e imperialistëve të luftës së re, e gjeti shprehjen e saj gjithashtu në komplotin që u demaskua në procesin e Budapestit, të Rajk-Brankov-it i cili ishte organizuar nga qarqet anglo-amerikane kundër vendeve të demokracisë popullore dhe Bashkimit Sovjetik me ndihmën e klikës fashiste-nacionaliste të Titos, që u bë një agjenturë e reaksionit imperialist ndërkombëtar.[lxxi]
      Por, siç shihet, si provë përmendej vetëm gjyqi i Budapestit dhe jo ai i Tiranës kundër Xoxes, edhe pse deri tash qenë zhvilluar vetëm këto dy gjyqe, ndërsa gjyqet-spektakël antititoiste në vendet e tjera satelite sovjetike ende nuk kishin filluar. Kuptohet se përse mungonte gjyqi shqiptar në rezolutë. Koci Xoxe, ndryshe nga Rajk, nuk e kishte pranuar akuzën, por e kishte shndërruar tërthorazi gjyqin e tij në gjyq kundër Hoxhës, duke provuar bashkëfajësinë e tij për të gjitha akuzat që i bëheshin. Për standardet e jurisprudencës staliniane të spastrimeve, gjyqi ndaj Koci Xoxes ishte një dështim i plotë. 
      Rezoluta kryesore që doli nga mbledhja e Byrosë Informative ishte ajo «Partia Komuniste Jugosllave në duart e vrasësve dhe të spiunëve», titulli i së cilës i shkonte si epigram të gjithë partive komuniste pjesëmarrëse në mbledhje si dhe asaj të Shqipërisë. Në rezolutë thuhej:
       Mbledhja e Byrosë Informative të Partive Komuniste në Qershor të vitit 1948 konstatoi kalimin e klikës Tito-Rankoviç prej demokracisë e socializmit në nacionalizmin borgjez, ndërsa gjatë kohës që ka kaluar prej kësaj mbledhje të Byrosë Informative mori fund kalimi i kësaj klike prej nacionalizmit borgjez në fashizëm.[lxxii]
      Kur komunistët grindeshin, ia thoshin saktë njëri-tjetrit se çfarë qenë. E vërteta ishte se komunizmi në pushtet në vende shumëetnike, shndërrohej në fashizëm, ose më saktë në nazizëm, ku ka një nacion zotërinjsh, ekuivalenti i herrenrase nazist dhe një nacion skllevërish. Shembulli më i qartë për këtë ishte në Bashkimin Sovjetik ku Stalini pohoi në 1945 statusin prej herrenrase të rusëve, siç e kam cituar më lart në këtë libër. Në Jugosllavi kjo gjë ishte më e komplikuar, atje sundonin serbët dhe kroatët, në një raport të vështirë. Shqipëria ishte shembulli i komunizmit të fashistizuar ku regjimi shprehte sundimin e një pjese të popullsisë mbi tjetrën, në linjën e ndarjes etnografike të vendit.       Po në rezolutën e mësipërme thuhet:
       Partija Komuniste e Jugosllavisë, në përbërjen e saj të tanishme, duke qenë në duart e armiqve të popullit, të spiunëve dhe kriminelëve, e ka humbur të drejtën për t’ u quajtur Parti Komuniste dhe është vetëm aparat që kryen detyra spiunazhi të klikës së Titos.[lxxiii]
      Kjo gjë mund të thuhej fare mirë edhe për PPSH, e cila ishte një organizatë kriminale në shërbim të klikës së Hoxhës. Fundviti 1949 kishte rezervuar një zhgënjim tjetër të hidhur për Hoxhën. Ai nuk u ftua në Moskë në festimet e mëdha që u mbajtën në dhjetor 1949 me rastin e 70 vjetorit të lindjes së Stalinit, ku do të asistonin të gjithë udhëheqësit e vendeve komuniste, duke përfshirë edhe  atë të Kinës, Mao Ce Dun. Derisa festimet do të kishin karakter të theksuar ideologjik, e gjithë kjo nuk kishte shpjegim tjetër përveç atij se Stalini nuk e pranonte zyrtarisht Hoxhën si partner ideologjik. Hoxha, si një Taras-Herman, megjithëse nuk u ftua, në 20 dhjetor 1949, në vigjilje të datëlindjes së Stalinit, do të organizonte në Tiranë një mbledhje solemne me rastin e 70 vjetorit të lindjes së Stalinit, ku Hoxha mbajti një fjalim që vetëm një komedian i paturpshëm mund të guxonte ta mbante, derisa të gjithë ata që dëgjonin pyesnin veten se përse ky dishepull kaq i devotshëm i Stalinit nuk qe ftuar në Moskë me këtë rast:
       Nesër mbush 70 vjet të jetës së tij mësuesi dhe udhëheqësi i madh i proletariatit botëror, dishepulli më besnik i Leninit, strategu i ndërtimit të socializmit dhe të komunizmit, mbrojtësi i madh i paqes dhe i lirisë së popujve, Josif Visarionoviç Stalin.[lxxiv]
      Nxënësi i mejtepit islamik bën për seminaristin ortodoks lavdërime hagiografike:
       Sot në vigjiljen e 70-vjetorit të lindjes së Stalinit të madh, i gjithë populli shqiptar mendon dhe brohorit me gjithë shpirt për Josif Visarionoviç Stalinin. S’ mund të gjendet njeri i thjeshtë, njeri i ndershëm, njeri i drejtë, njeri që e do popullin dhe atdheun që të mos ushqejë në zemër një dashuri të pakufishme, një mirënjohje të pafund dhe një besnikëri të madhe për udhëheqësin e lavdishëm të të gjithë popujve të botës, Josif Stalinin. Njerëz të tillë nuk mund të gjenden në vendin tonë dhe kurrë nuk do të ketë.[lxxv]
      Është një paradoks, sa ironik aq edhe domethënës, që Hoxha e  luftonte Titon për shkak të antistalinizmit të tij, dhe vetë Hoxha nuk pranohej nga Stalini si komunist dhe stalinist. Këtu, më tepër se kurrë deri atëherë shfaqet Hoxha komedian. Stalini me këtë refuzim të përmasës ideologjike të marrëdhënieve sovjeto-shqiptare i thoshte Perëndimit se nuk e quante Shqipërinë një vend komunist, në bllokun komunist të dominuar nga Bashkimi Sovjetik. Hoxha e përfundoi fjalimin e vet me një urim që duhet t’ u jepte të kuptonin sovjetikëve se ishte me të vërtetë për të ardhur keq që nuk i dhanë mundësi ta bënte në pritjen solemne në Moskë:
       Të rrojë sa malet dhe ju bëftë dita njëmijë mësuesit tonë të shtrenjtë, Stalinit të madh.[lxxvi]
      Po atë ditë Hoxha i bëri Stalinit edhe një telegram urimi me dithirambe. Telegrami, më tepër ka vlerë për të sqaruar arsyen e mungesës së tij në festimet në Moskë. Telegrami i adresohet Stalinit si:
       Gjeneralisimit Stalin
Kryetar i Këshillit të Ministrave të BRSS.[lxxvii]
      Hoxha e firmon telegramin si:
 Kryetar i Këshillit të ministrave të RP të Shqipërisë
Gjeneral-Armate
Enver Hoxha.[lxxviii]
      Pra, në telegram mungon adresimi në linjë partiake. Hoxha nuk i drejtohet Stalinit si sekretari i përgjithshëm sekretarit të përgjithshëm. Në telegram nuk përmendet as fjala «parti», as ato «komunist», apo «bolshevik». Bashkimi Sovjetik i donte ende marrëdhëniet të privuara nga përmasa ideologjike. Që kjo gjë bëhej me vullnetin e Stalinit, kjo u kuptua kur u pa se fjalimi i Hoxhës në mbledhjen solemne të mbajtur në Tiranë, pikërisht ato ditë, me rastin e 70-vjetorit të Stalinit, përdori një gjuhë të rënduar ideologjike komuniste. Pra, Hoxhës i tolerohej t’ i bënte hymne ideologjike Stalinit në Tiranë, por nuk mund t’ i drejtohej në këto terma drejtpërdrejt Stalinit. Situata, në të cilën Hoxha i deklaronte Stalinit besnikëri ideologjike dhe Stalini nuk ia pranonte atë, ishte si e bërë me porosi që Hoxha të shfaqte natyrën e vet prej komediani.


5.
Versioni i shqiptar i fushatës antiçifute të Stalinit: goditja ndaj gego-komunizmit

      Në vitin 1950, në kohën që në Bashkimin Sovjetik kishte filluar fushata antiçifute, dhe po zbulohej «konspiracioni» zionist që në bashkëpunim me imperializmin amerikan do të përmbyste regjimin sovjetik dhe do të shpërbënte Bashkimin Sovjetik, Hoxha ndoqi modën e re sovjetike të represionit. Por, derisa në Shqipëri kishte fare pak çifutë dhe nuk mund të montohej një konspiracion zionisto-imperialist, kështu që duhej gjetur një grupim popullsie, i dalluar etnografikisht, të cilit t’ i atribuohej ai faj që u atribuohej në Bashkimin Sovjetik çifutëve. Mënyra se si Hoxha e shndërroi atë çka ishte një intrigë e rëndomtë e klaneve të politikës së lartë të regjimit, në ekuivalentin e «konspiracionit» zionist në Bashkimin Sovjetik, ishte me të vërtetë një zhvillim në shkollën e spastrimeve politike në Shqipëri, dhe ia vlen të përshkruhet. Kjo filloi në Plenumin V të Komitetit Qendror, në shkurt 1950. Atje Hoxha tha:
       Çështja e parë ka të bëjë me ekzistencën brenda në Parti të një grupi që ka zhvilluar një veprimtari shumë të sëmurë prej grupazhi, në të cilin kanë marrë pjesë edhe tre shokë të Komitetit Qendror, shokët Niazi Islami, Abedin Shehu dhe Shyqri Këllezi. Çështja e dytë ka të bëjë me shokun Nexhip Vinçani.[lxxix]
      Abedin Shehu, kuksian, ishte ministri i Punëve Botore (ndërtimit) dhe Industrisë. Ai ishte kunati i Kapos, duke qenë i martuar me motrën e këtij të fundit. Niazi Islami, nga Salaria e Tepelenës, ish-shofer, mbante këtë detyrë sipas vetë fjalëve të Hoxhës:
       Ai megjithëse nga ana zyrtare ishte ndihmësministër, në fakt kryente funksionet e ministrit të komunikacioneve dhe ne ia kishim komunikuar këtë prandaj edhe merrte pjesë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave.[lxxx]
      Niazi Islami ishte kunati i Isuf Keçit, tiranas autokton për nga origjina, dhe që në atë kohë ishte kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, i cili nga ana e tij ishte vëllai i  Hamit Keçit, drejtorit të Kundërzbulimit ushtarak. Është sinjifikues rrëfimi i Hoxhës për atë se si filloi ta shihte konspiracionin:
       Vitin e kaluar na ngjau edhe një çështje tjetër: në hotel «Dajti» Niaziu dhe disa shokë të tjerë si Abedin Shehu, Muharrem Çorrati etj., kishin marrë në diskutim sekrete me rëndësi të madhe shtetërore në lidhje me marrëdhëniet e ndryshme që zhvillon shteti ynë me vendet e demokracisë popullore dhe BRSS. Këto biseda në vende jo të përshtatshme nuk kalonin pa u vënë re nga ana e shokëve të shëndoshë e këto gjëra e bënin Byronë Politike të ishte më vigjilente, pse si thotë populli «tym pa zjarr nuk ka», prandaj çështjen e tyre e ndiqte me shumë kujdes.[lxxxi]
      Është e qartë se këtu bëhet fjalë për një nga klanet e shumtë që ekzistonin në nivelet e ndryshme të nomenklaturës së regjimit dhe që Hoxha i mbënte nën vëzhgim të kujdesshëm, duke mbështetur njërin e goditur tjetrin, për të krijuar balancime dhe kundërbalancime. Më tepër për çështjet që bisedonin këta persona mësohet nga raportimi që ministri sovjetik në Tiranë Çuvahin, i cili në 10 mars 1949 njoftonte Moskën për informimin që i bëri Hoxha mbi këtë çështje:
       Enver Hoxha njoftoi më poshtë se këto 3-4 ditët e fundit një grup punonjësish të shquar shqiptarë, pa përjashtuar madje edhe disa anëtarë të KQ, e kanë dënuar haptazi politikën e qeverisë shqiptare në fushën e tregtisë së jashtme. Ky grup, sipas fjalëve të Enver Hoxhës, shtron pyetjen se pse Shqipëria, sipas shembullit të vendeve të tjera të demokracisë popullore, nuk ka marrëdhënie të drejtpërdrejta tregtare me vendet e Evropës Perëndimore, por i realizon ato përmes vendeve të tilla si Bullgaria, Hungaria etj. Këta punonjës, e mes tyre edhe persona të tillë, si kryetari i këshillit të qytetit të Tiranës, Isuf Keçi, zëvendësministri i ndërlidhjes (komunikacionit- K. M.) Shyqyri Këllezi, ministri i punëve botore Abedin Shehu, i ngarkuari me detyrën e ministrit të ndërlidhjes (komunikacionit-K. M.) Niazi Islami, zëvendësministri i punëve të jashtme, Vasil Nathanaili dhe punonjësi i ministrisë së Tregtisë Muharrem Çorrati, deklarojnë se Shqipëria po humbet shumë për faktin që mallrat e veta, si naftë, bitum etj. nuk i shet vetë drejtpërsëdrejti në vendet e Evropës Perëndimore. Madje ata deklarojnë se vende të tilla si Bullgaria dhe Hungaria i blejnë në Shqipëri disa produkte, sidomos naftën, me çmime të ulëta dhe po këtë naftë e shesin me çmime më të larta në vendet e Evropës Perëndimore.[lxxxii]
      Midis Shqipërisë nga njëra anë dhe Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera të bllokut komunist nga ana tjetër, qenë krijuar marrëdhënie të tilla ekonomike si ato që ekzistonin mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë deri në 1948, të cilat Hoxha i kishte definuar si marrëdhënie mes kolonisë dhe metropolit. Kjo gjë shkaktonte pakënaqësi deri në nivelet e larta të regjimit komunist, siç del nga ato që thotë Hoxha më lart. Megjithatë për Hoxhën ky realitet kolonial i Shqipërisë nuk përbënte problem, sa kohë që ai rrinte në pushtet. Hoxha e pa këtë ndodhi, si një rast për të zbuluar në Shqipëri një «konspiracion» properëndimor, sipas modës së fundit sovjetike. Hoxha, në fjalimin e vet në Konferencën II Nacionale të PPSH, në prill 1950, kur personat e mësipërm do të quheshin tashmë pjesë e një komploti, tha:
       Nga ana tjetër grupi në fjalë propagandonte dhe nxiste parullën armike «përse të bëjmë tregëti me demokracitë popullore, duhet të bëjmë tregëti dhe të kemi lidhje me shtetet e perëndimit». Kjo ishte parulla e Planit Marshall të maskeruar.[lxxxiii]
      Hoxha, në bisedën e përmendur më lart me ministrin sovjetik, në 1949, tregohet një nxënës i mirë i shkollës staliniane për spastrimet politike, kur i thotë, sipas raportimit që Çuvahin i bën Moskës:
       EnverHoxha nënvizoi me këtë rast se pothuajse të gjithë punonjësit e lartpërmendur të grupit të Isuf Keçit, në vitet e luftës kundër pushtimit fashist, manifestonin pikëpamje trockisto-anarkiste për njërën ose tjetrën çështje dhe për aktet e tyre anarkiste u janë bërë paralajmërime serioze nga ana e KQ të PKSH. Si një nga shembujt e akteve të tilla anarkiste, sidomos të Isuf Keçit, Enver Hoxha përmendi organizimin nga ana e këtij të fundit të rrëmbimit të fëmijëve të kuislingëve, të spiunëve të njohur të amerikanëve dhe anglezëve etj.[lxxxiv]
      Është karakteristike se Hoxha, në vend që të flasë për çështjen që kanë ngritur këta zyrtarë, i denigron ata për të shkuarën e tyre. Në rast se këto gjëra qenë të vërteta, atëherë si shpjegohej që këta njerëz gjendeshin në këto poste të rëndësishme në zyrat e regjimit? Kuptohet se për Hoxhën e shkuara e këtyre njerëzve konsiderohej e pranueshme deri në momentin që ata ndiqnin të bindur «vijën» që përcaktonte ai.
      Në atë kohë pozita e Hoxhës ishte lëkundur shumë. Në ushtri kishin filluar të qarkullonin zëra se në situatën e vështirë në të cilën gjendej vendi tash, duke qenë i izoluar dhe i rrethuar, në krye duhet të dilte një dorë e fortë, dhe si i tillë shihej Shehu. Në pritjen që u dha në Legatën Sovjetike në 7 nëntor 1949, ndodhi një ngjarje kuptimplote, për të cilën Hoxha do të thoshte në Plenumin V të Komitetit Qendror, në shkurt 1950:
       Kjo ndodhi në festën e 7 nëntorit. Shoku Nexhip Vinçani, kur ishte në pritjen që dha Legata Sovjetike, zuri shokun Mehmet dhe i tha si me padurim: «Kur do të vish në Komandën e Përgjithshme që të shpëtosh ushtrinë, pse të presin të gjithë me gëzim të madh», duke shprehur me këtë haptas një ndjenjë përçmimi ndaj shokëve të tjerë të Komandës së Përgjithshme. Shoku Mehmet u çudit fort nganjë sjellje e tillë dhe ju përgjegj aty për aty se nuk janë aspak të drejta këto gjëra që po i thoshte. Por Nexhipi vazhdoi në të tijën. Të njëtën pyetje atë mbrëmje ia bëri Mehmetit edhe Gjin Marku.[lxxxv]
      Kur Nexhip Vinçani, i cili ishte zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, dhe Gjin Marku, i cili ishte drejtor i Drejtorisë Operative, thoshin se Shehu, i cili tashmë ishte zëvendëskryeministër, ministër i Punëve të Brendshme dhe sekretart i Komitetit Qendror, duhet të rikthehej në Komandën e Përgjithshme, kjo sigurisht që nuk kishte kuptimin se Shehu duhet të rikthehej në postin e vet të mëparshëm të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, çka ishte një post dukshëm më i ulët se ato që mbante tash. Por fjalët e tyre kishin kuptimin se Shehu duhet të bëhej Komandant i Përgjithshëm, çka do të thoshte që ai të zinte vendin e Hoxhës edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror, si dhe kryeministër, meqënëse posti i Komandantit të Përgjithshëm derivonte nga ai i Sekretarit të Përgjithshëm.
      Nexhip Vinçani i lejonte vetes që të fliste kaq lirshëm se ai kishte fituar emër të madh pasi ishte komplimentuar nga vetë Stalini gjatë një parade ushtarake në vitin 1949, në Moskë. Në përfundim të paradës, Stalini u gjend mes një grupi ushtarakësh të lartë sovjetikë dhe nga vendet e bllokut sovjetik, mes të cilëve qe Zhukovi, si dhe Nexhip Vinçani. Në një moment Stalini pyeti se çfarë duhej bërë nëse në atë moment amerikanët do të bënin një desantim ajror masiv në Moskë. U dhanë shumë përgjigje, por dy vetë folën me kërkesën e Stalinit, Zhukovi, si dhe e Nexhip Vinçani, i cili foli pasi Stalini i drejtoi sytë dhe tha: Të dëgjojmë edhe një shok shqiptar.
      Në fund Stalini, i cili tashmë glorifikohej nga shtypi sovjetik si strategu ushtarak më i madh i të gjitha kohrave, bëri vlerësimin duke thënë se përgjigjen më të saktë e kishte dhënë shoku shqiptar, domethënë Nexhip Vinçani. Stalini e bëri këtë gjë  qartësisht për të poshtëruar Zhukovin. Por kjo bëri që në Shqipëri të krijohet kulti i Nexhip Vinçanit, si gjenerali më i zoti në vend. Në këtë eufori Nexhip Vinçani i lejonte vetes të fliste në atë mënyrë që përmend Hoxha. Hoxha në Plenumin V në shkurt 1950 e rrëfen kështu reagimin e Shehut:
       Shokut Mehmet i bënë përshtypje me të drejtë mënyra dhe termat që përdori Nexhipi dhe mendoi se diçka duhet të kishte në këtë mes. Prandaj na vuri menjëherë në dijeni dhe ne e ngarkuam ta thërriste Nexhipin sa më parë dhe të bisedonte me të. Për këtë qëllim ai e thirri Nexhipin në shtëpinë e tij po atë natë. Ky përsëriti po ato gjëra po në formë më të zgjeruar.[lxxxvi]
      Shehu e kuptonte se, kur dy ushtarakë të lartë flasin me këtë gjuhë me një ish-eprorin e tyre, kjo mund të quhet deri edhe si ofertë për të bërë një puç. Prandaj ai bëri të vetmen gjë të arsyeshme që duhet të bënte në këtë rrethanë, duke informuar Hoxhën. Hoxha e dinte Nexhip Vinçani dhe Gjin Marku qenë ndër ata që shpreheshin kundër shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Beqir Balluku, për të cilin thoshin se ishte i paaftë të mbante postin e që kishte, si dhe për të qenë anëtar i Byrosë Politike.[lxxxvii]  Hoxha e mbante Beqir Ballukun në ato poste se ai ia dinte për nder Hoxhës që nuk e kishte çuar në gjyq së bashku me Xoxen, ose së paku ta kishte mënjanuar, si një nga njerëzit e ngritur në post nga jugosllavët pas vdekjes së Spirut. Hoxha, me dinakërinë e tij të zakonshme, nuk e thirri saora Vinçanin, por i kërkoi Shehut që ta thërriste atë, dhe ta pyeste më hollësisht për ato që i tha. Kështu Nexhip Vinçani nuk do të mund të thoshte dot se kishte bërë shaka. Dhe Nexhip Vinçani i pohoi edhe njëherë ato që kishte thënë. Hoxha e dinte se Shehu gëzonte në ushtri një reputacion më të madh se të tij dhe se shumë veta në ushtri e donin atë në krye të vendit. Në këtë rrethanë Hoxha mendoi se duhej ndërmarrë një spastrim i ri, edhe më i madh se ai i vitit 1948, që do t’ i siguronte atij respektin e duhur si diktator. Në janar 1950 filloi ai që u quajt vërtetimin e dokumenteve të partisë. Komunistët duhet të bënin autobiografi të zgjeruara, të cilat më pas do të përdoreshin për të bërë spastrimin e partisë.
      Hoxha, sa i përket skemës së spastrimit në nivelet e larta të regjimit, vendosi që t’ i kombinonte të gjitha çështjet, që nga bisedat që bënin një grup zyrtarësh të lartë, për të cilat ai i kishte folur ministrit sovjetik, tek çështja e Nexhip Vinçanit, për të përpunuar teorinë e një megakomploti. Hoxha e filloi goditjen nga Hamit Keçi, drejtor i Kundërzbulimit të ushtrisë, i cili ishte vëllai i Isuf Keçit (të përmendur në bisedën me ministrin sovjetik), i cili ishte kunati i Niazi Islamit. Në fund vitit 1949 Hamit Keçi u arrestua, çka u bë për t’ u ngjallur panikun personave të këtij grupi dhe për t’ i dhënë «konspiracionit» përmasën ushtarake. Nga ato që tha Hoxha në Plenumin V të Komitetit Qendror, në shkurt 1950, ku u zbulua «komploti» i ri, kuptohet se Hamit Keçit i kanë ngritur një kurth, me porosi të Hoxhës:
       Më vonë ndodhi diçka tjetër shumë e rëndësishme, me Hamit Keçin. Ky ishte një oficer i lartë në një nga drejtoritë me rëndësi të Komandës së Përgjithshme. Në një lojë që bënte ushtria ky kundërshtoi urdhërat eprore duke akuzuar shtabin se ndodhej në duart e agjenturës së armikut. Meqë ky nuk zbatoi urdhërat e Komandës, kjo u detyrua ta përjashtonte Hamit Keçin nga loja. Të njëjtën ditë ky më mori në telefon dhe më njoftoi se kishte diçka me shumë rëndësi për të më thënë. Mua më tërhoqi vërejtjen gjendja e tij shpirtërore fort e alarmuar. E pyeta mos kishte gjë me rëndësi nga kufiri, pse ishte koha e provokacioneve të mëdha, por m’ u përgjegj se nga kufiri nuk kishte asgjë, se donte të më fliste për çështjen e lojës, duke ngulur këmbë se shtabi paskësh rënë në duart e agjenturës armike.[lxxxviii]
      Në rast se Hamit Keçi do të kishte pranuar urdhrat nga shtabi në lojën ushtarake, atë me siguri që do ta akuzonin se si drejtor kundërzbulimi atij nuk i falej që të mos e kuptonte nga përmbajtja e urdhrave se shtabi kishte rënë në duart e armikut, dhe i jepte urdhrat të diktuar prej tij. Loja ushtarake simulonte një situatë lufte që do të krijohej si rezultat i një sulmi nga ana e Jugosllavisë. Hoxha tha në Plenumin V, se më pas  Isuf Keçi kishte treguar se në rrethin e tyre ishte biseduar gjerësisht për këtë lojë ushtarake:
       Hamiti na e shpjegoi lojën, tha Isufi, gjerë e gjatë në hartë. Në lidhje me terrenin, ai na foli për forcat dhe variantet. Në këtë kohë Abedini kishte ndërhyrë me pyetjen nëse kishte ndonjë variant tjetër, në rast të ndonjë sulmi që vinte nga Jugosllavia. «Kur na është shpjeguar loja- vazhdoi Isufi- kanë qenë të tërë, bile Abedin Shehu bënte pyetje provokuese që s’ kishin të bënin fare me vendin tonë». Abedini ishte i interesuar gjithashtu për gatishmërinë e ushtrisë sonë dhe Hamiti i kishte folur pozitivisht, duke marrë parasysh forcat tona, armatimet dhe terrenin. Mirëpo Abedini i kundërshtonte ato që tregonte ai, duke thënë se armiku mund të na sulmonte me forca më të mëdha. Kur Abedini i kishte kërkuar Hamitit sekrete ushtarake të tjera ushtarake, ky i kishte thënë se këto gjëra i di vetëm Enver Hoxha; atëherë ai e kishte sharë, duke i thënë se ishte i poshtër dhe budalla. Këto pohoi Isufi, kurse gjithë të tjerët i mohuan.[lxxxix]
      Nga fjalët e mësipërme të Hoxhës kuptohet se sekretet ushtarake në fjalë kanë qenë sekrete edhe për Komitetin Qendror të partisë, derisa Abedin Shehu, i cili  ishte anëtar i Komitetit Qendror, nuk ishte i informuar për këto sekrete. Por ishte Komiteti Qendror i partisë, si forumi kryesor drejtues në vend, ai që duhej t’ i njihte këto gjëra që konsideroheshin sekret dhe të vendoste për to. Hoxha pohonte  kështu përsëri se Komiteti Qendror kishte thjesht funksion dekorativ. Askush nga anëtarët e Komitetit Qendror nuk guxoi të bënte vërejtje për këtë gjë. Abedin Shehu, duke qenë anëtar i Komitetit Qendror dhe ministër mendonte se kishte të drejtë të dinte edhe ato që quheshin sekrete ushtarake, dhe të cilat kërkonte t’ i mësonte jozyrtarisht, kur duhej t’ i dinte zyrtarisht. Ky ishte faji i tij. Hoxha, më tutje, në fjalimin e vet, zbuloi se arrestimi i Hamit Keçit ishte bërë për të ngritur kurthin për shokët e tij:
       Që kur u arrestua Hamiti, këta njerëz «asnjëherë nuk janë interesuar më për të», bile thonë se as shoku-shokun nuk e kanë pyetur. Ky është një qëndrim i çuditshëm nga këta shokë, të cilët për 12 muaj me rradhë hanin, pinin, kërcenin dhe bënin gjithfarë muhabetesh në shtëpinë e Hamitit. Atë që nuk e bënë këta, e kreu drejtësia popullore që shqyrtoi punën e Hamitit.[xc]
      Hoxha përdorte kështu bagazhin e tij prej pasionanti të romaneve policore, në cilësinë e tij të tashme si regjisor i dramës së terrorit, për të krijuar suspansin. Pas kësaj merr udhë zbatimi i skenarit të ri të spastrimit politik. Hoxha, sipas manualit stalinian, kishte nevojë për një njeri i cili të pohonte se bëhej fjalë për veprimtari armiqësore të vetëdijshme. Hoxha, duke vepruar si një hetues, thirri Niazi Islamin, zëvendësministrin që kryente dhe detyrën e ministrit të Komunikacioneve. Hoxha tha në Plenumin V për këtë:
       Të nesërmen e thirrëm prapë dhe e pyetëm për çështjen e Hamit Keçit, për të cilën na u përgjegj se nuk dinte gjë… «Me Isuf Keçin që e ke kunat do të kesh biseduar patjetër», i thamë, por edhe këtë e mohoi.[xci]
      Derisa Hoxha nuk e manipuloi dot Niazi Islamin, ai thirri përsëri kunatin e tij, Isuf Keçin, vëllain e Hamit Keçit:            
       E thirra përsëri Isufin dhe i thashë haptas se gjëra të tilla nuk shkojnë në Partinë tonë, prandaj të flasë më qartë si qëndrojnë punët e grupit. Herën e dytë mund të themi se ai foli më hapët, tregoi shumë gjëra që të tjerët i mbanin të fshehta, megjithëse ne i dinim nga ato që na kishte treguar Hamiti. Isufi na tregoi se në grupin e tyre janë biseduar plot gjëra me karakter sekret shtetëror, ushtarak dhe ekonomik, dhe më kuriozi i të gjithëve, ai që i bënte më shumë pyetje Hamitit, saqë ky arriti t’ i quante provokacione, tha ai, ishte Abedini.[xcii]
      Në ndërkohë që vazhdonte manipulimi i Hamit Keçit në burg, Hoxha kërkonte të siguronte pohime nga vëllai i tij. Synimi i Hoxhës ishte që të siguronte pohime kundër Abedin Shehut, si kreu i një grupi armiqësor në shërbim të spiunazheve perëndimore. Duket se, sipas skenarit, duhet të dilte se Abedin Shehu donte t’ i dinte sekretet ushtarake në mënyrë që t’ ua kalonte spiunazheve perëndimore. Si premisë për këtë përfundim do të ishte fakti që Abedin Shehu kishte shprehur mendimin se duhej të bëhej tregti me vendet perëndimore dhe jo me ato të bllokut sovjetik. Hamit Keçi tashmë në efektin e torturave ishte manipuluar dhe kishte bërë pohimet që i duheshin Hoxhës, i cili njoftoi plenumin:
       Ai në fillim bëri një autokritikë ku shpjegoi pse e kundërshtoi urdhrin dhe pohoi vetë se këtu nuk kishte të bënte fare grindja me Nexhip Vinçanin e Gjin Markun në Moskë, prandaj këta shokë duhet të jenë të bindur mirë se moszbatimin e urdhërit Hamiti nuk e bëri për atë shkak. Ky pohoi se që në fillim kishte qenë në kundërshtim me Partinë, pse është infektuar me frymën e vjetër të grupit dhe këtu flet drejt. Ai thotë se është një megaloman dhe hipokrit, nuk ka asnjë konsideracion për Komandën, po as për çështje ushtarake nuk ka haber, megjithëse hiqet sikur di shumë.[xciii]
      Hoxha, me natyrën e vet të pamposhtshme prej komediani, do t’ i pohonte praktikisht plenumit se pohimet e Hamit Keçit qenën bërë nën tortura:
       Ai pohon vetë: «unë jam tamam si një thes me miell që, sa t’ i biesh, deltym».[xciv]
      Domethënë sa herë e torturonin! Hoxha u atribuoi personave që kishte vënë në shënjestër edhe antisovjetizmin, në një mënyrë asfare të besueshme. Ai tha në  fjalën e mbylljes në Plenumin V:
       Hamit Keçi kishte pikëpamje se «në vendin tonë sundojnë sovjetikët» dhe këtë e thoshte haptas. E njëjta pikëpamje ka ekzistuar edhe te Niazi Islami… Sipas Niazi Islamit, po tha një fjalë shoku sovjetik, mbaron puna, është një gjë e vendosur.[xcv]
      Nëse Hamit Keçi shfaqte haptas këtë pikëpamje si qëndronte ai në postin e vet të lartë dhe delikat? E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Niazi Islamin. Dy muaj pas Plenumit V, në Konferencën II Nacionale të PPSH, në prill 1950, në të cilën vazhdoi shqyrtimi i çështjes së këtij «komploti» të ri, Hoxha do të avanconte në akuzat, duke e konsideruar të ashtuquajturin grupin e Abedin Shehut, si ndjekës të platformës së grupit të Xoxes: 
       Me demaskimin e klikës fashiste të Titos dhe me zbulimin e tradhëtis të Koçi Xoxes, Pandi Kristos etj. këta, u duk kiartë se keshin një platformë politike. Këjo platformë ishte e hartuar në Uashington e vënë në zbatim nga agjentura e Tito-Rankoviç, dhe e ekzekutuar në vëndin t’ onë nga banditët Koçi Xoxe, Pandi Kristo etj. Këjo platformë dhe këto qëllime të tyre ishin me hedhë në dorë Partinë t’ onë komuniste, me e shndrue këtë në një parti fashiste, në një rrjet spiunazhi e në një polici fashiste; me aneksue dhe kollonizue Shqipërinë nga ana e Jugosllavis titiste, me rrëzue pushtetin e diktaturës së demokracisë popullore në vendin t’ onë, me restauru në Shqipëri regjimin kapitalist, dhe me e ba vendin t’ onë një arsenal lufte kundër Bashkimit Sovjetik dhe demokracive popullore motra. Krerët e trockizmit shqiptar ishin në dijeni të plotë të këtij pllani, dhe me kohë dhe me ndërgjegje të plotë vepronin. Por Koçi Xoxe dhe shokët e tij nuk e pohuan kurrë këtë platëformë politike, dhe qëllimet e tyre djallëzore. Ata u detyruan të pohojnë të gjithë veprimtarinë e tyre tradhtare, por nuk guxuan të pohojnë se e gjithë këjo veprimtari bëhej për një qëllim të caktuar dhe e koncertuar me fashistat e Beogradit. Trockistat shqiptarë me Koçi Xoxen me shokë ishin egzekutorët e pllanit titist në Republikën t’ onë popullore. Ata patën frikë të pohojnë platëformën dhe qëllimet e tyre pse do të merrnin mallkimin e klasës punëtore, sikundër që e muarnë.[xcvi]
      Kjo akuzë Xoxes dhe njerëzve të tij nuk iu bë as në Plenumin XI, as në Kongresin I, as në gjyq. Ajo po dilte vetëm tash. Hoxha nuk përmendi ndonjë provë për këtë akuzë të re. Me sa duket ajo i duhej atij si ekspedient për të akuzuar dhe dënuar për këtë gjë grupin e ri «armiqësor», për të cilin Hoxha tha:
       Po kështu ngjau edhe me grupin e Abedin Shehut e të Niazi Islamit me shokë. Ata kanë pasur një platëforma politike dhe qëllimet e tyre të caktuara. Nga zbulimi i punës së tyre trockiste dhe nga pohimet e tyre ata synonin të zinin postet komanduese në parti dhe në qeveri, të mernin fuqin në duart e tyre, të rëzonin komitetin central dhe qeverinë, dhe natyrisht të vendosnin regjimin e urryer të borgjezisë. Abedin Shehu tha me gojën e tij ‘se këtu e çonte puna trockiste që ay kish zhvilluar’ por s’ pati guximin të pohojë që ay kish patur një platëformë politike dhe qëllime të caktuara, pse do të merrte mallkimin e partisë dhe të popullit.[xcvii]
      Tashmë Hoxha fliste hapur për një komplot. Fjalë të tilla do të thoshin se personat përgjegjës do të shkonin në gjyq dhe më tej para skuadrës së pushkatimit. Ishte absurde që Abedin Shehu të akuzohej si bashkëpunëtor i Xoxes, kur ai kishte qenë një nga ata të cilët qenë atakuar rreptë nga ky i fundit. Xoxe kishte thënë në Plenumin VIII të Komitetit Qendror në shkurt 1948:
      Abedin Shehun e përkrahte Nako Spiru pse është shovinist.[xcviii]
      Sipas manualit stalinian, komploti, do të kishte si aspekt të tij edhe sabotimin e ekonomisë. Meqënëse industria e naftës ishte sektori më i rëndësishëm i industrisë në atë kohë, dhe atje punët shkonin keq, Hoxha i paraqiti gjërat sikur sabotimi në industrinë e naftës ishte i pari në agjendën sabotuese të komplotistëve. Hoxha tha në Konferencën II Nacionale të PPSH, në prill 1950:
       Por këtij sabotazhi sistematik të trockistave Jugosllavë ju shtuan dhe dëmet e reja të shkaktuara nga grupi anti parti i Abedin Shehut, dhe veçanërisht prej këtij të fundit, prej Shyqyri Këllezit që okuponte postin e drejtorit të Kombinatit të Naftës, prej Nasi Marianit që ishte drejtor i Patosit dhe një sërë elementash të tjerë teknikë dhe administratorë armiq që punonin atje dhe që kishin besimin dhe mbështetjen e Drejtorave në fjalë.[xcix]
      Sabotimi konsistonte në faktin se «sabotatorët» vinin në dukje mungesën e teknologjisë dhe të teknikëve të nevojshëm për të realizuar planin në sektorin e naftës:
       Sabotatorët si Shyqri Këllezi dhe Abedin Shehu me shokë, për të mbuluar punën e tyre anti patriote dhe armiqësore, u përpoqnë të arsyetonin rënien e prodhimit të naftës, për mungesë materiali apo teknikësh. Është e vërtetë se ne nuk kemi shumë teknikë të kualifikuar në këtë sektor, por ne kishim ndihmën e çmueshme të ingjinierit Sovjetik dhe forcën e madhe të Partisë dhe të punëtorëve tonë, dhe këtë eksperiencë sovjetike dhe këtë forcë të Partisë të cilat do të nxirrnin me sukses pllanin, që Abedin Shehu dhe shokët e tij e sabotuan në mënyrë sistematike.[c]
      Nëse me një inxhinier sovjetik, fjalën e partisë dhe punëtorët, nuk arrihej të nxirrej aq naftë sa ishte planifikuar, atëherë ky ishte sabotim! Ky ishte «sabotimi» i dytë në naftë që zbulonte personalisht Hoxha, pas atij të specialistëve italianë në 1946, dhe nuk do të ishte i fundit që zbulonte ai. Hoxha, në Konferencën II të partisë në prill 1950, bëri një deklaratë veçanërisht të çuditshme dhe ogurzezë, duke thënë për atë që e quante grupi i Abedin Shehut dhe Niazi Islamit:
       Origjinën e këtij rigrupimi të ri antiparti në gjirin e Partisë dhe me në krye dy anëtarë të Komitetit Qëndror dhe një kandidat duhet ta kërkojmë që në grupet komuniste para formimit të Partisë dhe veçanërisht në grupin e «Të Rinjve». Por duhet ndjekur njëkohësisht zhvillimi i procesit të këtyre elementëve jo të shtresës punëtore dhe në opozicion me Partinë dhe me udhëheqjen e saj, gjatë gjithë jetës së Partisë dhe fazave të vështira nga ka kaluar kjo. Elementët kryesorë të këtij grupi trockist, me përjashtim të Niazi Islamit që ka qenë anëtar i grupit të Korçësdhe pastaj ka marrë lidhje me të tjerët, kanë qenë pjesëtarë të grupit të «Të Rinjve». Të tillë ishin Abedin Shehu, Isuf Keçi, Hamit Keçi, Shyqri Këllezi dhe disa elementë të tjerë, kush më shumë e kush më pak të implikuar me ta, të cilët edhe ata ose vinin nga grupi i «Të Rinjve» ose i puqnin pikëpamjet dhe rruga e përbashkët me ta.[ci]
      Çështja e grupit të Të Rinjve ishte quajtur e mbyllur që në vitin 1943, kur ishte bërë spastrimi në Vlorë, i drejtuar personalisht nga Hoxha. Ish-anëtarët e grupit të Të Rinjve, për të cilët fliste tash Hoxha, qenë distancuar nga ish-krerët Anastas Lula dhe Sadik Premte, dhe i kishin qendruar luajalë klikës Popoviç-Hoxha. Ndër ta ishte dhe kunati i Abedin Shehut, Kapo, tashmë anëtar i Byrosë Politike. Përse risillej tashmë fantazma e Grupit të Të Rinjve në mbledhjet e forumeve të larta të partisë? Kuptohet se Hoxha synonte që me këtë rast të eliminonte dhe Kapon, të cilin e shikonte me dyshim për shkak se kishte një bazë personale fuqie në Vlorë, e cila kishte qenë bastioni i lëvizjes komuniste partizane. Kapo mund të implikohej në komplot edhe si ndërlidhës mes komplotistëve dhe spiunazhit amerikan për shkak se vjehrri i tij ishte emigrant në SHBA.
      Hoxha, me gjuhën e tij prej Tarasi-Herman, bëri përcaktimin e mëposhtëm-boomerang për viktimat e goditjes së tij të radhës:     
       Origjina e tyre kulakësh, fetare, borgjezë të pasur të degjeneruar, dhe matrapazë të qytetit, tregëtarë të mesëm të falimentuar dhe të varfëruar, fshatarë mikroborgjezë, tregëtarësh të mesëm të falimentuar e të varfëruar dhe fshatarësh mikroborgjezë bëri që këta shokë të mos mundin dot të pastrojnë pikëpamjet anti-parti të grupeve të vjetra dhe të mos zhduknin pikëpamjet mikroborgjeze dhe borgjeze të shtresave të tyre.[cii]
      Nëse ishte kështu, atëherë edhe Hoxha, i cili kishte një origjinë të këtij lloji, klerikalo-kulake, nuk ishte pastruar nga pikëpamjet e shtresës nga vinte dhe duhej të largohej nga drejtimi i partisë dhe qeverisë. Fakti që askush në sallë nuk guxonte t’ i tregonte udhëheqësit konseguencën e fjalëve të veta, tregonte se partia dhe forumet e larta të saj qenë shndërruar thjesht në një trupë dekorative të udhëheqësit. Akuza e mëposhtme që Hoxha u bën viktimave të radhës, flet shumë për moralin e regjimit të tij:
       Në një pjesë e mirë e këtyre elementave egzistonin nostalgjia e mënyrës së jetesës dhe e mendimit të grupit dhe këjo i tërhiqte vazhdimisht këta në një jetë të çthurrur, plot mistere dhe intriga, në një jetë ahengu dhe imoraliteti.[ciii]
      Është karakteristike se Hoxha, deri në vdekje, nuk do të kritikonte dhe dënonte kurrë dikë nga nomenklatura thjesht për imoralitet, në sensin që Hoxha e përdor këtë fjalë këtu. Kritika për imoralitet do të ishte një shtesë ndaj kritikave dhe akuzave të tjera. Kuptohet se imoraliteti ishte një normë në nomenklaturën komuniste dhe jo e kundërta. Hoxha, në Konferencën II Nacionale të partisë, në prill 1950 befas i avancoi akuzat duke e quajtur grupin antiparti si gegocentrist:
      “Për të grumbulluar elementa rreth tyre njerzit e këtij grupi përdornin korruptimin në rradhë të parë, zhvillonin frymën lokaliste në dëm të politikës së drejtë të Partisë dhe të qeverisë. Metodat e bajraktarllëkut ishin metodat e tyre në dëm të influencës së Partisë dhe të pushtetit popullor. Në krahinat e Kukësit e të Peshkopisë, çdo përparim që bëhesh atje, qoftë në lëmin ekonomik, qoftë në lëmet e tjera, grupi i propagandonte se ishte Abedin Shehu ay që i bënte këto. E tillë ishte propaganda e tyre saqë edhe anëtarë Partie nga ato rrethe kishin arritur të mendonin dhe të thoshin me mburrje prej lokalisti të sëmurë: «e nxorri dhe Kukësi një njeri të madh, Abedin Shehun, i cili është një mbështetje për këtë krahinë» dhe një pikëpamje e tillë i bënte këta anëtarë partie naivë, që kurdoherë që vinin në Tiranë me punë private ose shtetnore, më parë do të shkonin te «bajraktari» Abedin Shehu të merrnin vijën, pastaj të shkonin ku duhej të shkonin. Por këjo lokalizmë nuk shtrihej nga ana e tyre vetëm në krahinën e Kukësit dhe të Peshkopisë, kjo përpiqej të shtrihej dhe në elementin tiranas dhe të krijonin edhe baza në Shkodër. Grupi i Abedin Shehut afronte reth vetes shokë partie tiranas ose që kishin jetue në Tiranë dhe ekzistonte tendenca me krijue influencë edhe në Shkodër me anë krushqish e me mënyra të tjera. Këjo rrugë natyrisht i çonte këta në ndasitë e vjetra borgjeze dhe antimarksiste, toskë dhe gegë.[civ]
      Kjo ishte hera e parë dhe e fundit në historinë e partisë dhe të regjimit, që ngrihej akuza për një komplot me bazë regjionale, etnografike, që përfshinte praktikisht gjithë Gegërinë, nga Tiranë në Shkodër dhe Kukës. Nisur nga çfarë tha më lart Hoxha, fjalët e tij të mëposhtme kishin kuptimin e një komploti gego-komunist.
       Grupi i Abedin Shehut vepronte si një qëndër drejtuese anti-parti. Për këta elementa direktivat dhe vendimet e partisë dhe të qeverisë s’ kishin asnjë rëndësi, bile nuk përfilleshin, përbuzeshin, shkeleshin… Këjo qëndër trockiste me në krye Abedin Shehun, diskutonte, kritikonte, dekonspironte çdo direktivë, dhe çdo urdhër të Komitetit Central e të Qeverisë. Sekretet e Shtetit, të ushtërisë, të mbrojtjes, ishin bërë lëndë muhabeti nga ana e tyre reth kupës së rakisë dhe ahengjeve. Anëtarët e kësaj qëndre konsultoheshin më parë me njëri-tjetrin dhe sidomos me Abedin Shehun para se të shkonin të zbatonin detyrat e tyre që ju ngarkoheshin nga partija dhe qeverija, dhe kur ktheheshin për të dhënë llogari ata jepnin më parë llogari në grupin e tyre.[cv]
      Por Hoxha vetë kritikonte nga pozita e tosko-komunizmit, se udhëheqja e regjimit përbëhej kryesisht nga toskë. Përse Hoxha e bëri akuzën për gego-komunizëm? Një regjim që ka një agjendë të fshehtë të nxitjes së urrejtjes ideologjike dhe të institucionalizimit të saj, me luftën e klasave, siç qe regjimi komunist shqiptar, do të përfundonte natyrshëm duke i nxitur të gjitha llojet e mundshme të resentimenteve, për të mbijetuar. Madje shpik edhe urrejtje të tjera. Çdo shtet normal synon t’ i minimizojë konfliktet në shoqëri. Shteti komunist bënte të kundërtën, i nxiste. Ai e gjeneronte konfliktin në shoqëri, e minonte shoqërinë, duke i armiqësuar njerëzit, familjet, fiset, krahinat, grupet shoqërore me njëri tjetrin. Shteti komunist sillej si një bandit djallëzor që ka marrë peng një familje dhe që nën kërcënimin e jetës i nxit njerëzit e marrë peng të luftojnë njëri-tjetrin për vdekje. Shteti komunist nxiti resentimentin toskë-gegë, madje u përpoq të krijonte dhe urrejtje që nuk kishin ekzistuar si urrejtjen mes shqiptarëve të Shqipërisë shtetërore dhe shqiptarëve çamë të dëbuar nga Greqia në 1945, urrejtjen kundër shqiptarëve të Kosovës, shqiptarëve katolikë etj. Hoxha në Konferencën II Nacionale të partisë, në prill 1950, do të paralajmëronte lidhjen mes «komplotit» të Abedin Shehut dhe njerëzve të tij, si dhe të Nexhip Vinçanit:
       Përsa i përket punës antiparti të Nexhip Vinçanit, ajo ka qenë shumë e rezikëshme, pse Nexhip Vinçani dhe shoku i tij Gjin Marku, nuk kanë vepruar në tym, por kanë pasur dhe ata një platëformë të tyre të kurdisur kundër Komandës udhëheqëse të ushtrisë dhe kundër gjithë udhëheqjes së Partisë. Karakteristike është, nga ana tjetër, se veprimtaria e Nexhip Vinçanit zhvillohej paralelisht, me po të njëjtat tipare me atë të grupit të Abedin Shehut, por në sektorin e Ushtërisë.[cvi]
      Kjo që thoshte Hoxha sigurisht që do të vërtetohej gjatë hetuesisë dhe gjyqit-spektakël që do të bëhej ndaj «komplotistëve». Në Plenumin V të Komitetit Qendror, mbajtur në dy faza, në 20-22 shkurt 1950 dhe 6 mars 1950, u përjashtuan nga Komiteti Qendror anëtarët e tij Abedin Shehu dhe Niazi Islami, si dhe kandidatët Shyqyri Këllezi dhe Nexhip Vinçani. Edhe në rastin e Nexhip Vinçanit, Hoxha do të shtonte akuzën për imoralitet. Hoxha në fjalën e mbylljes në Plenumin V, në shkurt 1950, do të thoshte për Nexhip Vinçanin:
       Një sëmundje e vjetër e Nexhipit është dhe qëndrimi i tij i ulët moral. Për këtë i kanë ardhur shumë herë sinjalizime Komitetit Qendror dhe njerëzit që na informonin nuk janë nga ata që i duan Nexhipit të keqen.[cvii]
      Niazi Islami kishte vrarë veten fill pas përfundimit të Plenumit V, në shkurt. Për këtë Hoxha do të thoshte në Plenumin IX të Komitetit Qendror, në shkurt 1951:
       Në mbrëmjen që kishin mbaruar punimet e plenumit mbi dënimin e grupit antiparti të Abedin Shehut, të Niazi Islamit dhe të Shyqri Këllezit, na lajmëruan se Niazi Islami vrau veten. Vetëvrasja e Niazi Islamit vërtetoi edhe më tepër punën armiqësore tëe tij, të cilën e kishte analizuar aq drejt Plenumi i Komitetit Qendror. Për të gjithë qe e qartë se Niazi Islami vrau veten, pse ishte armik i Partisë.[cviii]
      Gjin Marku atëherë u kursye nga Hoxha, me sa duket vetëm se e kishte gruan serbe. Hoxha donte që gjithsesi të kishte dikë të afërt me jugosllavët në poste të larta. Hoxha, në përfundim të tablosë që bëri në Konferencën II Nacionale të partisë, në prill 1950, do të thoshte:
       Zbulimi i këtij grupi anti parti i kryesuar nga Abedin Shehu dhe Niazi Islami, i tregoi partisë se reaksioni i brendshëm dhe i jashtëm i partisë nuk fle, po punon, organizohet dhe e godet Partinë në momentin e volitshëm në rast se partija nuk qëndron vazhdimisht vigjilente dhe e gatëshme për ta zbuluar këtë veprimtari dhe për ta asgjësuar me kohë.[cix]
      Nënkuptimi ishte se partia nuk ishte treguar vigjilente dhe katastrofa nuk kishte ndodhur vetëm falë vigjilencës së atij, Hoxhës. Përjashtimi nga Komiteti Qendror paralajmëronte arrestimin dhe nxjerrjen në gjyq. Dhe kështu do të kishte ndodhur vërtet, sikur «komplotistët» të mos i kishte shpëtuar... Kim Il Sung (apo Kim Ir Sen siç quhej në Shqipëri). Fjalën e kam për nisjen e luftës në Kore, në qershor 1950. Stalini në bisedën që pati me Hoxhën në Moskë, në nëntor 1949, i kishte thënë këtij të fundit se nuk duhet t’ i ngacmonte shumë amerikanët dhe britanikët, nëse nuk donte që ata të ndërmerrnin invadimin ushtarak të Shqipërisë. Deri para fillimit të luftës së Koresë, një gjyq në Shqipëri ndaj një grupi «komplotistësh» të lidhur me amerikanët, nuk quhej ndonjë ngacmim i madh. Por, me fillimin e luftës së Koresë, kur Shqipëria e izoluar nga pjesa e tjetër e bllokut sovjetik, dukej si një pre e lehtë për perëndimorët, u gjykua që edhe ky gjyq do të ishte një ngacmim i tepruar. Vetëm me këtë mund të shpjegohet që e gjithë zhurma që u bë për grupin antiparti, që ishte një qendër në shërbim të vendeve perëndimore, u shua befasisht me fillimin e luftës së Koresë.
      Është ironike, se pas shkarkimit të Abedin Shehut, i cili qe akuzuar për regjionalizëm, postin që mbante ai do ta merrte Adil Çarçani, një gjirokastrit, si Hoxha. Adil Çarçani shkruan në kujtimet:
       Në vitin 1950 m’ u ngarkua detyra e ministrit të Industrisë. Kjo m’ u duk e vështirë dhe larg dijeve e përvojës së fituar. Këtë shqetësim ia shpreha edhe shokut Enver.
-Ministrinë do ta drejtosh dhe përvojën do ta fitosh. Partia do të të ndihmojë!- më tha ai kur më komunikoi vendimin.[cx]
      Adil Çarçani nuk kishte përfunduar as gjimnazin. Emërimi i nëj njeriu të paarsimuar në një post si ai i ministrit të Industrisë ishte shumë më i dëmshëm në një vend ku ekonomia qe shtetërore, se në një vend ku ekonomian ishte private.
      Në Konferencën I Nacionale të partisë, në prill 1950, Hoxha do të bënte anëtarë të Komitetit Qendror dy njerëz që kërkonte t’ i përdorte si ndërmjetës me ato që donte t’ i kishte si baza personale të fuqisë së tij. I pari ishte Shefqet Peçi, me origjinë nga Picari i Kurveleshit. Hoxha ishte duke e shndërruar Kurveleshin, me tradita luftarake, në një bazë personale fuqie dhe Shefqet Peçi do të ishte interlokutori i tij me kurveleshasit. I dyti ishte Spiro Pano, një minoritar grek nga Dropulli. Hoxha donte ta shndërronte edhe minoritetin grek në Shqipëri në një bazë personale fuqie, duke u paraqitur si mbrojtësi i tyre. Spiro Panon të cilin shpejt do ta ngrinte në poste të larta, e shikonte si interlokutorin e tij për këtë gjë. Në Konferencën II Nacionale të partisë u bë kandidate e Komitetit Qendror edhe gruaja e Shehut, Fiqret Shehu. Me sa duket, për ta vënë në gjumë Kapon, ose për të përgatitur një denoncues të tij nga rrethi i të afërmve, u bë kandidat i Komitetit Qendror edhe kunati i Kapos, Pirro Kondi.
     

4.
Arratisja e Enver Hoxhës me anijen sovjetike: Shqipëria si trofeja e destinuar europiane e Luftës së Koresë

      Në mëngjesin e datës 24 qershor 1950, kur në Kore, ku tashmë ishte data 25,  ushtria koreanoveriore po kapërcente paralelin 38, në Legatën Sovjetike në Tiranë u vu re një lëvizje e pazakontë. Të gjithë oficerët e ushtrisë sovjetike dhe të KGB të cilët qenë atashuar pranë ushtrisë shqiptare dhe Sigurimit të Shtetit filluan të vijnë njëri pas tjetrit në Legatë, të veshur jo si rëndom me uniformë, por me veshje civile. Prej andej ata u nisën me automjete në Durrës, ku hipën një një anije sovjetike transporti mallrash, e cila ndodhej në port. Në anije hypën dhe pjestarët e familjeve të personelit të Legatës Sovjetike. Dukej qartë se po bëhej një evakuim. Kur Hoxha pyeti në Legatën Sovjetike i thanë se bëhej fjalë për një stërvitje rutine. Por një gjë e tillë nuk ishte bërë kurrë deri atëherë. Hoxha e dinte se sovjetikët mund ta bënin një evakuim të ngutshëm vetëm në rast se kishin të dhëna se Shqipëria do të invadohej imediatisht nga ushtritë amerikano-britanike.
      Kur anija sovjetike u nis me ngut para kohe, duke mos pritur të bëhej ngarkesa e mallrave që duhet të merrte në Shqipëri, Hoxha filloi të dyshonte se diçka shumë serioze po ndodhte për të cilën ai nuk ishte në dijeni. Por çfarë po ndodhte? Ai nuk kishte asnjë të dhënë për përqëndrim forcat të mëdha në kufirin greko-shqiptar prej nga pritej sulmi tokësor, ose të shfaqjes së luftanijeve britanike dhe amerikane në afërsi të ujrave shqiptare. Duket se sovjetikët dinin diçka që nuk e dinte ai. Në lajmet e mëngjesit, si tek Radio Moska, ashtu dhe në radiot perëndimore, nuk kishte asgjë veçanërisht shqetësuese, po të përjashtohej rutina e Luftës së Ftohtë. Të nesërmen në mëngjes, në 25 qershor (data 26 qershor me orën e Lindjes së Largme) Hoxha dëgjoi Radio Moskën të thoshte në gjuhën e drunjtë komuniste se ushtria popullore koreanoveriore, ishte angazhuar në luftime për t’ ju dhënë fund  provokacioneve të vazhdueshme të regjimit të Seulit. Por radiot perëndimore flisnin për një mësymje ushtarake në shkallë të gjerë të Koresë së Veriut ndaj Koresë, që kishte filluar një ditë më parë, me qëllim okupimin e kësaj të fundit. Hoxha filloi ta kuptonte arsyen e evakuimit të sovjetikëve nga Shqipëria. Moska druhej se në situatën e krijuar nga lufta në Kore, Shqipëria do të invadohej nga ushtria greke dhe njerëzit e saj në Shqipëri do të binin në duart e amerikanëve. Moska i druhej para së gjithash kapjes së specialistëve ushtarakë dhe atyre të KGB, se ata do të zbulonin shumë gjëra që dinin dhe që nuk kishin të bënin fare me Shqipërinë, prandaj ata i largoi të parët.
      Dy ditë më pas, në 27 qershor, lufta në Kore mori një kurs më se të frikshëm për Hoxhën. Atë ditë, me kërkesën e SHBA, Këshilli i Sigurimit i OKB u mblodh në mungesë të përfaqësuesit sovjetik, dhe pasi dënoi agresionin ndaj Koresë së Jugut, vendosi që një forcë ushtarake ndërkombëtare të ndërhynte në Kore për të ndaluar agresorët dhe për t’ i kthyer mbrapsht. Hoxha kishte frikë se mos në këtë situatë, SHBA dhe Britania e madhe do të invadonin Shqipërinë, duke përdorur si shkak rrezikun që u vinte prej regjimit të saj, i cili nuk kishte njohur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për atentatin në Kanalin e Korfuzit. Në këto rrethana, gjatë natës së 27-28 qershorit, ndodhi arratisja e Hoxhës nga Shqipëria. Në 27 qershor, afër mesnatës, Hoxhës i erdhi lajmi se amerikanët po zbarkonin në bregdetin shqiptar, në afërsi të Vlorës dhe në Shëngjin, ku në ujërat shqiptare qe shfaqur një flotë e tërë. Në fakt ajo që kishte ndodhur ishte simulimi i një zbarkimi me mjete speciale nga ana e anijeve amerikane dhe britanike, të cilat qëndronin në ujërat ndërkombëtare. Me mjete speciale qenë lëshuar në ujërat shqiptare aparate lundruese që bënin dritë të fuqishme duke simuluar afrimin e një flote të madhe. Hoxha mendoi se perëndimorët po invadonin Shqipërinë dhe e kapi paniku, duke menduar se tash ai do të binte rob dhe do të përfundonte në burgjet britanike për vrasjen e marinarëve britanikë në Kanalin e Korfuzit. Ambasadori sovjetik Çuvahin nuk gjendej në atë kohë në Shqipëri, që Hoxha të këshillohej me të. Paniku i Hoxhës shtohej për shkak se jugosllavët, që nga nëntori i vitit të kaluar kur dolën rezolutat vecanërisht të ashpra të Byrosë Informative e ndaluan trafikun ajror me drejtim Shqipërinë, ose prej Shqipërisë, në hapësirën ajrore jugosllave. Që prej nëntorit 1949 dhe deri në vitin 1956 u ndërpenë trafiku ajror ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik e vendeve të tjera të kampit socialist. Kjo do të thoshte se Hoxha tash nuk mund të arratisej me avion si në gusht 1949, por vetëm me anije. Kjo do të thoshte se Hoxha do të mbetej në Shqipëri në rast zbarkimi amerikan në bregdetin shqiptar. Në këto rrethana Hoxha vendosi të arratiset nga Shqipëria sa nuk ishte vonë.
      Në natën e 27-28 qershorit, nga blloku i udhëheqjes në Tiranë doli një kolonë veturash qeveritare, të cilat ecnin me shpejtësi në drejtim të Durrësit. Në automjetet ishte Hoxha me familjen e tij të madhe, familja e Shehut, si dhe rojet personale të Hoxhës. Pak minuta më parë Hoxha ishte ndarë nga Shehu, me të cilin kishte pasur një bisedë që më tepër ishte një shkëmbim fjalësh në panik. Hoxha i kishte thënë Shehut se çdo gjë mori fund dhe se atyre të dyve nuk u mbetej veçse të iknin nga Shqipëria me të vetmen anije sovjetike mallrash që gjendej në portin e Durrësit, e cila duhet të nisej fill pasi ata të hipnin në të. Shehu pranoi që situata ishte shumë e rëndë, por tha se ata mund të strehoheshin në Legatën Sovjetike, personelin e së cilës amerikanët dhe britanikët qenë të detyruar ta merrnin në mbrojtje dhe ta evakuonin, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare. Shehu besonte se sovjetikët do t’ i evakuonin ata së bashku me personelin e tyre në Shqipëri, ose së paku mendonte se kështu kishin më shumë shanse për të shpëtuar jetën, se po të shkonin në Bashkimin Sovjetik duke lënë pas në fatin e tyre njerëzit sovjetikë në Shqipëri, gjë për të cilën mund t’ i priste një ndëshkim i rëndë në Moskë. Hoxha, i kapur nga paniku nuk e dëgjoi Shehun dhe vendosi të largohet saora, ashtu si në gusht 1949. Shehu qëndroi në vend, por nisi familjen e tij me Hoxhën. Me të hipur Hoxha dhe të vetët në anijen sovjetike, ajo u nis menjëherë në lundrim. Kjo ishte përsëritja e arratisjes së Ahmet Zogut nga Shqipëria në 7 prill 1939. Për të qenë analogjia e plotë, edhe gruaja e Hoxhës, Nexhmija, ishte shtatzënë, ashtu si Geraldina dikur, dhe pranë Nexhmijes, ashtu si pranë Geraldinës, rrinte kunata me emrin Sanije. Hoxhës gjatë udhëtimit i rrinte në mendje mallkimi profetik i Omarit. Në ditën e dytë të lundrimit nga Moska erdhi urdhri që anija të kthehej pas në Durrës, se nuk kishte pasur zbarkim. Në portin e Durrësit, ku arritën pas dy ditësh, në 1 korrik, Hoxha u prit nga Shehu dhe i ngarkuari me punë sovjetik, të cilin siç duket e kishte marrë me vete Shehu. Hoxha e perceptoi këtë gjest të Shehut si një poshtërim që i bëhej atij. 
      Megjithëse nuk ishte vërtetuar zbarkimi, rreziku që vinte nga situata e krijuar nga lufta në Kore nuk kishte marrë fund. Regjimi i Hoxhës mbetej seriozisht i kërcënuar nga një invadim ushtarak perëndimor. Regjimi i Hoxhës kishte bërë gjithçka që kishte bërë regjimi i Kim Ir Sen (Kim Il Sung) për të pësuar një gjë të tillë. Regjimi shqiptar kishte mbështetur guerriljen komuniste në Greqi si dhe ishte i dënuar me një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare për incidentin e Kanalit të Korfuzit, vendim të cilin nuk e kishte njohur. Një ndërhyrje ushtarake perëndimore në Shqipëri pra dukej mëse e justifikuar dhe e mundshme në atmosferën e krijuar nga lufta në Kore. Kjo ndërhyrje nuk dukej të sillte implikime për Perëndimin. Shqipëria komuniste nuk ishte pranuar në OKB dhe nuk kishte asnjë marrëveshje për mbrojtje të përbashkët me ndonjë vend tjetër pas denoncimit të traktatit me Jugosllavinë. Hoxhën do ta ndiqte gjithë kohën që ishte në pushtet një paradoks ironik, ashtu që kur konsolidonte pushtetin brenda vendit, rritej rreziku i jashtëm dhe e anasjellta.   
      Hoxha do të shprehej për luftën në Kore, në fjalimin që mbajti në Kuvendin Popullor për paraqitjen e qeverisë së re, në 5 korrik 1950, disa ditë pas fillimit të luftës:
       Populli shqiptar është thellësisht i indinjuar dhe proteston energjikisht për sulmin barbar të imperialistëve amerikanë kundër Republikës Popullore Demokratike të Koresë. Populli shqiptar është me gjithë zemër me popullin vëlla heroik të Koresë që përballoi me sukses sulmin tradhëtar të kukullave të imperialistëve amerikanë dhe agresionin e hapët amerikan dhe po marshon përpara në fitore për unifikimin e atdheut të tij dhe për çlirimin e plotë të Koresë nga thonjtë e imperializmit amerikan. Populli shqiptar kërkon ndalimin e agresionit dhe tërheqjen e menjëhershme të trupave amerikane nga Korea. Populli heroik i Koresë do të fitojë, pse drejtësia është nga ana e tij dhe gjithë popujt përparimtarë të botës janë me të, janë për kauzën e tij të shenjtë.[cxi]
      Hoxha, derisa shprehej në liturgjinë e zakonshme komuniste, nuk ndihej asfare i sigurt. Pasiguria e tij fillonte që në udhëheqje ku i trembej Shehut, që në kohërat e vështira që pritej të vinin mund të përfitonte për të marrë pushtetin. Një shenjë e pasigurisë së Hoxhës është u duk në zgjedhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor pas zgjedhjeve të majit 1950. Kuvendi Popullor u mblodh në 28 qershor, tre ditë pas fillimit të luftës në Kore. Gruaja e Enver Hoxhës, Nexhmija, u zgjodh anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke u bërë kështu bashkëkryetare e shtetit së bashku me burrin e saj që ishte gjithashtu anëtar, ndër pesëmbëdhjetë anëtarët e Presidiumit.[cxii]
      Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që Nexhmije Hoxha do të zgjidhej në këtë detyrë, të cilën do ta mbante katër vjet. Një tjetër shenjë e pasigurisë nervoze të Hoxhës ishte fakti se nënpresident i Presidiumit u zgjodh Aleksandër Xhuvani, i cili tashmë konsiderohej si vjehrri i Ramiz Alisë, njeriut të afërt të Hoxhës. Ramiz Alia ishte fejuar tashmë me vajzën e Aleksandër Xhuvanit. Një gjë tjetër që  binte në sy ishte se në Presidium nuk u zgjodh Kapo. Sigurisht që në Presidium nuk qenë të gjithë politbyroistët, por ata që nuk qenë mbanin portofole qeveritare, ndërsa Kapo nuk mbante asnjë të tillë. Kjo ishte një shenjë se Kapo ishte në rënie, edhe për shkak se ishte kunati i Abedin Shehut.  
      Hoxha, duke pritur që rreziqet do të shtoheshin në të ardhmen, ai, qeverinë e re të krijuar pas zgjedhjeve, dhe që u krijua disa ditë pas fillimit të luftës në Kore, në 4 korrik, e krijoi si një qeveri me bazë të gjerë në Shqipërinë e Jugut, që ishte baza e regjimit. Hoxha, për herë të parë përfshiu në qeveri Kapon, i cili ishte mënjanuar deri atëherë. Kapo u bë zëvendëskryeministër, një lëvizje kjo e bërë qartësisht që Vlora, e cila shihej si një nga bastionet e regjimit në Jug, të ndihej e përfaqësuar në qeveri. Një minoritar grek nga Dropulli, Spiro Pano, u bë zëvendëskryeministër. Me këtë, së bashku me Manol Konomin, u bënë dy minoritarë grekë në qeveri, çka do të thoshte se minoriteti grek ishte më i përfaqësuar në qeveri se krejt Shqipëria e Veriut. Në qeverinë e re Hoxha ishte kryeministër, ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Punëve të Jashtme. Shehu ishte bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme.
      Është një gjë kurioze që legalizimi i regjimit komunist në Shqipëri u bë 10 ditë pas  fillimit të luftës në Kore, me miratimin në 5 korrik 1950 nga Kuvendi Popullor të  ndryshime në Kushtetutë, me ç’ rast në nenin 21 të Kushtetutës u shtuan këto fjalë:
   shtetasit më aktivë dhe më të ndërgjegjshëm të klasës punëtore dhe të masave të tjera punonjëse bashkohen me Partinë e Punës të Shqipërisë, pararoja e organizuar e klasës punëtore dhe e gjithë masave punonjëse në luftën e tyre për ndërtimin e socializmit dhe bërthama udhëheqëse e të gjitha organizatave të punonjësve si shoqërore, ashtu dhe shtetërore.[cxiii]
      Kështu PPSH vihet në Kushtetutë si forcë udhëheqëse, një rol që e kishte ushtruar ilegalisht. Është një gjë mjaft instruktive për natyrën e ligjshmërisë që ekzistonte në vend, që një parti e cila në pikëpamjen formale juridike qe ilegale, të përcaktohej në ligjin themeltar të shtetit si drejtuese e shtetit. Ironia tjetër është se, derisa një parti përcaktohet në Kushtetutë si forca drejtuese në vend, kur bëhet fjalë në po të njëjtën Kushtetutë për lirinë e organizimit të shtetasve, përmendet vetëm fjala “organizata” kurse fjala “parti” nuk përmendet fare. Pra, juridikisht, shtetasit shqiptarë nuk kishin të drejtë të formonin parti! Shqipëria me këto ndryshime kushtetuese u bë zyrtarisht një vend që synonte të ndërtonte socializmin, sipas pikëpamjes komuniste. Kjo gjë nuk i pëlqeu Stalinit i cili në takimin që pati me Hoxhën në Moskë, nëntë muaj më vonë, e qortoi këtë të fundit:
       Çdo gjë që bëni në Shqipëri e tregoni dhe e marrin vesh të tjerët. Duhet me i mbulu gjërat, pse ju jeni një vend i vogël. Ushtrinë sovjetike e keni larg.[cxiv]
      Ligjërimi i regjimit komunist mund të shikohej si një veprim që e provokonte Perëndimin, gjë për të cilën Stalini e pati paralajmëruar Hoxhën në takimin e tyre në mars 1949 që të ishte i kujdesshëm. Stalini, në paragrafin e cituar më lart, ia bëri të qartë Hoxhës se ushtria sovjetike nuk do të ndërhynte për të mbrojtur Shqipërinë në rast rreziku, edhe pse ajo ishte bërë zyrtarisht vend komunist. Në fakt pikërisht ky duket të kishte qenë qëllimi i Hoxhës kur bëri ndryshimet kushtetuese. Ai mendonte se tashmë Bashkimi Sovjetik do t’ i siguronte një mbrojtje formale, me anë të një traktati, por kjo nuk ndodhi.
      Gjithsesi, termi “vend komunist” ishte një term i mediave dhe politikanëve të vendeve perëndimore. Në fakt, në vendet ku në fuqi qenë partitë komuniste nuk përdorej ky term, por thuhej zyrtarisht se po ndërtohej shoqëria socialiste dhe se pas kësaj do të ndërtohej shoqëria komuniste. Socializmi ishte një periudhë tranzitore mes shoqërisë kapitaliste dhe asaj komuniste. Komunistët e quanin veten grupi pararojë, i njerëzve të pajisur me cilësitë e njeriut të shoqërisë së ardhshme komuniste, grupi që do t’ i printe shoqërisë në procesin e ndërtimit të shoqërisë socialiste dhe më pas asaj komuniste. Madje këto vende nuk u quajtën që në fillim as vende socialiste, se sipas dogmës marksiste-leniniste, që një vend të quhej socialist, duhej që atje të ishte ndërtuar baza ekonomike e socializmit, pra të ishte shtetëzuar ekonomia, si në qytet ashtu dhe në fshat. Nëse termi “vend komunist” nuk ishte i saktë, termi regjim komunist ishte i saktë, se ky regjim ishte sundimi i partisë së komunistëve, që e mbanin veten si elita politike pararojë e shoqërisë.
      Legalizimi i regjimit komunist e bëri të dukshëm hendekun mes ligjit dhe realitetit sa i përket trajtimit të njerëzve. Shoqëria shqiptare ishte ndarë në dy pjesë, në ata që qenë politikisht të pranueshëm për regjimin, dhe në të tjerët që shiheshin nga regjimi si politikisht të këqinj. Këta të fundit, pavarësisht nëse qenë me origjinë nga ish-shtresat borgjeze dhe kulake, apo nga pjestarët e nomenklaturës të goditur në spastrimet komuniste, quheshin të deklasuar. Statusi i të deklasuarve ishte një gjë informale. Nuk kishte një ligj për statusin e të deklasuarve, siç kishte në Gjermaninë naziste për joarianët, që të vinte ndalime të përcaktuara, që nga shkollimi, punësimi në administratë etj. Derisa nazistët kishin një shtet ligjor, në aspektin formal, komunistët nuk e kishin aspak një të tillë.
      Fillimi i luftës në Kore krijoi një tjetër situatë të rrezikshme për Hoxhën, këtë herë në politikën e lartë të regjimit. Shehu e pa situatën e krijuar si të përshtatshme për revansh ndaj Hoxhës, i cili në vitin 1949 kishte msyrë në atë që mund të quhej oborri i Shehut, në Mallakastër, duke atakuar Belishovën dhe Bilbil Klosin. Në situatën e krijuar tashmë pesha e Shehut si një dorë e fortë ishte rritur, kështu që ai mund t’ i lejonte vetes që të fillonte goditjen e kundërshtarëve të tij në udhëheqje, të cilët në fakt qenë njerëzit e Hoxhës. Shehu e dha goditjen e befasishme në mbledhjen e Byrosë Politike në 29 janar 1950, duke zgjedhur si shënjestër Jakovën, njeriun që me nxitjen e Hoxhës e atakonte vazhdimisht atë. Të nesërmen e mbledhjes së Byrosë Politike, në 30 janar 1951, Shehu do të zhvillonte një bisedë me ministrin fuqiplotë sovjetik në Tiranë, Çuvahin, mbi qëndrimin e tij në mbledhje, dhe Çuvahin do t’ i raportonte kështu Moskës:
       Mehmet Shehu tha se anëtarët e Byrosë Politike nuk e kanë shprehur me vendosmëri qëndrimin e vet për këto ose ato çështje. Ai vuri në dukje se Tuk Jakova nuk ka drejtuar siç duhet, se në kolegjiumin e partisë gjithashtu nuk pati kritikë. Ai tha se mes tij dhe Tuk Jakovës gjithmonë ka pasur fërkime dhe se tani ai do të dëshironte të sqaronte se cili prej tyre po gabon; ai që gabon,- tha Mehmet Shehu,- duhet të bëjë autokritikë dhe ta përmirësojë punën e vet.[cxv]
      Kur Shehu i çoi gjërat në një «krah të hekurt» mes tij dhe Jakovës, ky ishte konflikti më i madh në udhëheqjen e lartë komuniste që nga koha kur ishte eliminuar Xoxe. Shehu dhe Jakova qenë numrat dy dhe tre të regjimit. Hoxha llogariste që ta përdorte Jakovën për të kundërbalancuar Shehun. Sigurisht që pesha e Jakovës nuk ishte e tillë sa të mund ta bënte këtë, por Jakova kishte dhe mbështetjen e Hoxhës. Jakova, duke qenë sekretar i Komitetit Qendror për kuadrot e pengonte Shehun të emëronte kuadrot që donte në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe në sektorët e tjerë që Shehu mbulonte si sekretar i Komitetit Qendror. Kështu, Jakova ishte dyfish i vlefshëm për Hoxhën, se Jakova nga njëra anë nuk kishte një bazë fuqie personale (ai nuk guxonte të ngrinte shkodranë dhe katolikë në poste të larta në piramidën e regjimit), dhe në anën tjetër shërbente si bllokues i Shehut. Ky i fundit nuk priste veçse rastin e përshtatshëm për të shlyer llogarinë me Jakovën. Shehu gjeti si ekspedient për të eliminuar Jakovën kritikën më të rëndë që komunistët mund t’ i bënin njëri tjetrit, pa e akuzuar si komplotist, atë për oportunizëm. Çuvahin i raportonte Moskës në 30 janar 1951 për përplasjen mes Shehut dhe Jakovës:
       Po ç’ janë këto fërkime? Sipas mendimit të Mehmet Shehut, Tuk Jakova ka prirje oportuniste, mundohet ta zvogëlojë rolin e armikut.[cxvi]
      Por oportunizmi i Jakovës, sipas Shehut, konsistonte në episode që mund të gjendeshin për çdo udhëheqës komunist. Çuvahin i raporton Moskës fjalët e Shehut për këtë:
       Mehmet Shehu tha se njerëzit rreth e qark Tuk Jakovës nuk janë fort të mirë. Tuk Jakovës mund t’ i drejtohen me kërkesa për lirim nga burgu, atij mund t’ i paraqitet një prift katolik të cilit Tuk Jakova i dha 1000 lekë. Cila është arsyeja që pikërisht atij i paraqiten lloj-lloj njerëzish fsheharakë dhe të dyshimtë? Tuk Jakova duhet t’ i përgjigjet kësaj pyetjeje... Mehmet Shehu vuri në dukje më poshtë se Tuk Jakova është tepër i mefshtë në punë, se po nuk i ndreqi gabimet e veta, atëherë ai nuk duhet të jetë Sekretar i KQ të partisë.[cxvii]
      Shehu e bën të qartë kështu se synimi i tij është largimi i Jakovës nga posti që mban në parti. Hoxha e mbrojti Jakovën. Në një bisedë që Hoxha pati me Çuvahin, në 31 janar, të nesërmen e ditës që ky bisedoi me Shehun, Hoxha i tha, sipas raportimit që Çuvahin i bën Moskës:
       Sipas mendimit të Enver Hoxhës, Mehmet Shehu nuk ka të drejtë kur deklaron se Tuk Jakova deri tani qenka në opozitë me vendimet e partisë për çështjen e Niazi Islamit, njëri nga drejtuesit e grupit trockist antiparti të Abedin Shehut që u demaskua vitin e kaluar dhe që u përjashtua nga partia në Plenumin V të KQ në shkurt të po atij viti. Enver Hoxha është i mendimit se Tuk Jakovën e kemi «shokun tonë të vjetër luftarak», se ai është një komunist bolshevik, se ai do ta kuptojë kritikën e gabimeve të veta dhe, me ndihmën e shokëve të tjerë të Byrosë Politike, mund të çlirohet nga këto gabime.[cxviii]
      Shehu nuk hezitoi që të bënte përgjegjës edhe vetë Hoxhën për këto probleme. Çuvahin i raportoi Moskës se Shehu i tha në 30 janar:
       Në mbyllje të fjalës së tij Mehmet Shehu tha se sikur Enver Hoxha ’të kishte qenë më i vendosur në mbledhjet e Byrosë Politike, atëherë ne do të kishim humbur më pak kohë për studimin e kësaj apo asaj çështjeje.[cxix]
      Ky ishte një version i kritikës me të cilën Xoxe kishte filluar sulmin ndaj Hoxhës në 1947, pas vdekjes së Spirut. Ishte e qartë se tekefundit Shehu synonte eliminimin e Hoxhës. Sovjetikët në këtë provë force mes Hoxhës dhe Shehut, mbajtën anën e këtij të fundit. Hoxha, kur e informoi ministrin sovjetik Çuvahin, dy ditë pas mbledhjes së Byrosë politike, nuk i tha se Shehu nuk kishte mbetur i kënaqur nga mënyra se si donte ta mbyllte Hoxha çështjen e Jakovës. Por Çuvahin ishte në dijeni të asaj që kishte ndodhur nga biseda e një dite më parë me Shehun, prandaj ai e ngacmoi Hoxhën:
       E pyeta Enver Hoxhën: Anëtarët e Byrosë Politike a mbetën të gjithë të kënaqur me rezultatet e diskutimeve që u zhvilluan? Enver Hoxha u përgjigj se, sipas mendimit të tij, anëtarët e Byrosë Politike, në tërësi mbetën të kënaqur me rezultatet e këtyre diskutimeve.[cxx]
      Ishte e qartë se Çuvahin aludonte për Shehun. Hoxha pasi i mendoi gjithë natën fjalët që i tha Çuvahin, të nesërmen shkoi përsëri tek ai. Në këtë episod që Çuvahin i raporton Moskës në 1 shkurt, shfaqet natyra prej Tarasi-Herman e Hoxhës:
       Sot në orën 16: 15 u takova me Enver Hoxhën me inisiativën e tij. Ai deklaroi se pas pyetjes që i bëra në bisedën e djeshme (31 janar) nëse të gjithë anëtarët e Byrosë Politike kishin mbetur të kënaqur me rezultatet e diskutimeve, ai e kishte vrarë shumë mendjen dhe kishte ardhur në përfundimin se përgjigjia që i kishte dhënë pyetjes sime nuk kishte qenë fort e drejtë. Kjo bindje, -tha Enver Hoxha,- i qenkësh forcuar në ndërgjegjen e tij, sidomos pas bisedës së sotme (1 shkurt) që kishte pasur me Mehmet Shehun. Duhet pranuar,- vazhdoi ai,- se përfundimet që nxorra unë (Enver Hoxha) në Byronë Politike më 30 janar, i pranuan të gjithë anëtarët e saj, me përjashtim të Mehmet Shehut dhe pjesërisht të Liri Belishovës. Këta dy shokë mbetën të pakënaqur nga rezultatet e shkëmbimit të mendimeve që u bënë në Byronë Politike. Duhet nënvizuar,- vazhdoi Enver Hoxha,- se ndryshimi në mendime mes meje dhe Mehmet Shehut ndodhi vetëm për një problem: për problemin e qëndrimit të Tuk Jakovës si Sekretar i KQ të partisë. «Në këtë pikë nuk kemi unitet mendimi me Mehmet Shehun», -tha Enver Hoxha.[cxxi]
      Kjo ishte hera e parë që nga koha e marrëdhënieve të mira me Jugosllavinë që Hoxha bënte autokritikë para një të huaji për qëndrimin e tij ndaj një vartësi të tij në udhëheqjen shqiptare. Atëherë Hoxha kishte bërë autokritikë ndaj të dërguarve jugosllavë për qëndrimin e tij ndaj Xoxes. Për diktatorin kjo ishte një gjë shumë poshtëruese. Atij tashmë duket se i është krijuar bindja që sovjetikët e shihnin Shehun si njeri më të përshtatshëm se ai për të drejtuar vendin. Nga ato që thotë më lart Hoxha, del se në 1 shkurt, ai, para se të shkojë tek ministri sovjetik, ka pasur një bisedë me Shehun, e cila ka qenë shumë poshtëruese për Hoxhën. Në këtë bisedë Hoxha i ka ofruar një kompromis Shehut për çështjen e Jakovës. Kjo kuptohet kur Hoxha i thotë Çuvahin po atë ditë, sipas raportimit që ky i bën Moskës:
       Madje duhet pasur parasysh, -vazhdoi ai,- se ne i vlerësojmë njëlloj pothuajse të gjitha gabimet që ka bërë Tuk Jakova me përjashtim të çështjes që lidhet me faktin nëse deklarata e njohur e Tuk Jakovës në punimet e Plenumit V të KQ të vitit të kaluar (shkurt 1950) lidhur me vetëvrasjen e Niazi Islamit- njërit nga drejtuesit e grupit antiparti të Abedin Shehut- duhet trajtuar si tërheqje nga rezoluta e aprovuar në Plenum për këtë çështje, apo pavarësisht nga kjo deklaratë, Tuk Jakova ka vazhduar të mbetet në pozicionin që përcaktoi Plenumi i KQ. Vetë Enver Hoxha është i prirur të mendojë se në këtë çështje Mehmet Shehu gabon kur arsyeton se Tuk Jakova është në opozitë me vendimin e Plenumit të KQ për grupin e Abedin Shehut dhe sidomos për çështjen e Niazi Islamit.[cxxii]
      Kompromisi që Hoxha i ofronte Shehut konsistonte pra në atë që Shehu të kishte sadisfaksion për kritikën e tij ndaj Jakovës, duke bërë ky i fundit autokritikë, por me kusht që gabimet e Jakovës, të mos arrinin deri në kufijtë e fajit, çka do të kërkonte largimin e tij nga posti që mbante. Se Hoxha e kuptonte se në rast se Jakovës do t’ i atribuoheshin ato gjëra që thoshte Shehu, atëherë Jakova do të duhej të largohej nga posti që mbante, madje ta pësonte edhe më keq. Hoxha tashmë ishte bërë një intrigant i sofistikuar politik. Ai nuk mungon t’ i shfaqë ministrit sovjetik rrezikun që vjen nga avancimi i Shehut-gjithmonë sipas raportimit të Çuvahin për Moskën:
       Është e kuptueshme,- vazhdoi Enver Hoxha,- se sikur Tuk Jakovën në postin e sotëm ta zëvendësonim me Mehmet Shehun, puna e KQ në këtë mes do të shkonte më mirë. Një vendim i tillë do të ishte më i përshtatshmi. Por nuk duhet të harrojmë ama se çështja e largimit nga udhëheqja të njërit ose tjetrit shok nuk është një gjë e thjeshtë. Ne duhet të kemi parasysh se çfarë jehone do të gjejë në parti, në popull largimi i Tuk Jakovës, ose i ndonjë sekretari tjetër të KQ.[cxxiii]
      Këtu Hoxha qartësisht aludon se Shehu, kështu siç e kishte nisur, do të kërkonte largimin nga posti edhe të atij vetë, Hoxhës. Në 12 shkurt 1951 u bë një tjetër mbledhja e Byrosë Politike për çështjen e kritikave të Shehut ndaj Jakovës. Edhe në këtë mbledhje Hoxha e mbrojti Jakovën, dhe kërkoi që ai ta kalojë me një autokritikë. Hoxhën e mbështetën Gogo Nushi, Kapo, Spahiu, Beqir Balluku. Belishova nuk u prononcua. Por ishte Shehu ai që insistoi, që Jakova të paguante një çmim për gabimet e tij. Hoxha pas mbledhjes thirri në një takim Shehun për të biseduar për këtë çështje. Mehemt Shehu këtë herë i tha hapur Hoxhës se nuk ishte dakord me konkluzionet që ai kishte bërë në Byronë Politike për çështjen e  Jakovës.[cxxiv]
      Hoxha, i trembur se mos Shehu e akuzonte si oportunist tek sovjetikët, pas dy ditësh iu nënshtrua presionit të Shehut. Hoxha thirri përsëri mbledhjen e Byrosë Politike dhe i kërkoi Jakovës që të thellohej në gabimet e tij dhe të tregonte shkaqet e tyre. Gjithashtu Hoxha i propozoi Byrosë Politike që kjo t’ i kërkonte plenumit të KQ që Jakova të shkarkohej nga posti i sekretarit të KQ për kuadrin. Por Hoxha nuk kërkoi që Jakova të përjashtohej nga Byroja Politike. Në sytë e anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, kjo ishte prova e parë serioze e forcës që Hoxha bënte me një udhëheqës tjetër pas eliminimit të Xoxes, në këtë rast me Shehun, dhe në këtë provë Hoxha doli qartësisht i mundur. Kjo gjë e dobësoi shumë pozitën e Hoxhës, në sytë e anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike dhe e rriti reputacionin e Shehut. Belishova, e cila nuk ia falte Hoxhës poshtërimin që i kishte bërë në çështjen e tarafeve në Lushnjë, në 1949, deklaroi hapur se ajo kishte qenë me mendimin e Shehut, por ishte influencuar nga qëndrimi i të tjerëve dhe nuk ishte prononcuar. Fjalët për këtë provë force mes Hoxhës dhe Shehut sigurisht që dolën jashtë mbledhjes duke bërë të njëjtin efekt në nivelet e ulta të nomenklaturës.
      Për të konfirmuar vendimin tashmë të marrë në Byronë Politike, për eliminimin politik të Jakovës, disa ditë më vonë, në 19 shkurt, do të mblidhej Plenumi IX i Komitetit Qendror të partisë. Në kohën që plenumi ishte i mbledhur, në orën 18. 47 minuta, në ndërtesës e Legatës Sovjetike, në Rrugën e Durrësit (atje ku sot është selia e Ministrisë së Arsimit) shpërtheu një sasi e vogël eksplozivi që vetëm shkaktoi thyerjen e xhameve dhe asnjë njeri të lënduar. Kjo ngjarje ka mbetur deri më sot e mistershme. Nuk ngjan e besueshme që bombën ta kenë vënë shqiptarë antikomunistë. Forcat antikomuniste shqiptare nuk kishin rekorde të këtij lloji, pra që të kishin vendosur bomba në ndërtesat e regjimit, që të besohej se do të ndërmerrnin një veprim të tillë kaq të guximshëm. Gjithashtu duket e pabesueshme që autor i incidentit të jetë regjimi komunist shqiptar. Kjo kuptohet se regjimi, edhe pse me rastin e kësaj ngjarjeje do të ndërmerrte represion të përgjakshëm duke pushkatuar pa gjyq 22 vetë, do të evitonte që të fliste zyrtarisht dhe publikisht për një atentat. Që nuk ishte fjala për një inskenim të regjimit, qoftë edhe në bashkëpunim me sovjetikët kuptohet edhe nga biseda që Hoxha pati me Stalinin më pak se dy muaj më pas në Moskë, në 2 prill 1951, kur i tha udhëheqësit sovjetik:
       Akti më i madh diversionist ishte ai që u ndërmor pranë ndërtesës së misionit sovjetik. Me këtë rast, qeveria shqiptare kërkon ndjesë dhe e merr tërësisht përsipër fajin se nuk qe në gjendje ta shmangte këtë hap diversionist.[cxxv]
      Kjo tregon se akti nuk qe montuar nga sovjetikët dhe shqiptarët në bashkëpunim, se në rast se do të ishte kështu, Hoxha nuk kishte pse t’ i thoshte këto fjalë në një bisedë me Stalinin, përmbajtja e së cilës nuk do të publikohej. Atëherë kush qe përgjegjës për shpërthimin? Ky incident i interesonte Bashkimit Sovjetik, i cili, në atë kohë, kur lufta në Kore ishte shkallëzuar rrezikshëm me ndërhyrjen e Kinës komuniste, po akuzohej gjithherë e më tepër nga Perëndimi se ishte sponsori i agresionit në Kore. Sovjetikët sajuan një incident të ngjashëm dy vjet më vonë për të justifikuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin. Në 9 shkurt 1953 shpërtheu një bombë në oborrin e Misionit Sovjetik në Izrael, çka bëri që Bashkimi Sovjetik të presë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin dy ditë më vonë në 11 shkurt. Në rastin e Shqipërisë, sovjetikët sigurisht që nuk donin të prisnin marrëdhëniet diplomatike, por donin t’ i paraprinin ndonjë zhvillimi të pritshëm siç mund të ishte që amerikanët të lejonin Greqinë që të sulmonte Shqipërinë. Në këtë rast  Bashkimi Sovjetik donte të kishte të hipotekuar një incident që do t’ u shërbente atyre për të kundërshtuar akuzat amerikane, si dhe një shkak për t’ u larguar nga Shqipëria për mbrojtjen e së cilës nuk kishte asnjë detyrim, derisa midis dy vendeve nuk kishte asnjë traktat.
      Më e sigurt është që bombën ta kenë vënë vetë sovjetikët, aq më tepër që ajo shkaktoi vetëm dëme minimale dhe nuk shkaktoi të vdekur ose të lënduar në personelin e Legatës sovjetike. Sovjetikët nuk duhet t’ u kenë treguar asgjë shqiptarëve për këtë veprim. Sovjetikët mund ta vendosnin fare lehtë eksplozivin nga brenda, në oborrin prapmë të e ndërtesës dhe pastaj ta përdornin njëkohësisht si ndaj Perëndimit ashtu dhe ndaj regjimit të Tiranës. Me këtë shpjegohet fakti se Hoxha mori përgjegjësinë për ngjarjen para qeverisë sovjetike dhe i kërkoi falje. Një gjë që të shtyn të besosh se sovjetikët e kishin vendosur vetë eksplozivin, del nga raportimi që i bën Moskës në 8 maj 1952, i ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë, V. A. Karjetkin, mbi një bisedë që ka pasur me Shehun:
       Në mbyllje të bisedës, Mehmet Shehu më propozoi që bashkë me mua në makinë të udhëtojë truproja shqiptare nga radhët e oficerëve shqiptarë të Sigurimit të Shtetit me uniformë civile. Unë nuk e pranova këtë propozim. Atëherë Shehu propozoi që makinën time ta shoqërojë një makinë shqiptare e organeve të Sigurimit të Shtetit. Edhe këtë propozim unë nuk e pranova. I thashë Shehut se unë e ndiej veten mirë në Shqipëri dhe, për mendimin tim, nuk ka nevojë për një truprojë të tillë. Organet e Sigurimit të Shtetit në Shqipëri kanë mënyra të tjera për të krijuar kushte normale pune për përfaqësuesit sovjetikë.[cxxvi]
      Fakti që diplomati sovjetik, i cili do të bënte një udhëtim nëpër Shqipëri, nuk shqetësohej për sigurinë e tij në një kohë që vetëm një vit më parë supozohej se ishte bërë një atentat ndaj Legatës Sovjetike, nuk kishte shpjegim tjetër veç atij se atentatin e kishin simuluar vetë sovjetikët!
      Hoxha, i cili deri më atëherë e kishte mbrojtur Jakovën, do të mbante në Plenumin IX të Komitetit Qendror, në 21 shkurt 1951, raportin me temë “Mbi gabimet dhe të metat e Jakovës”që ishte akt-akuza ndaj Jakovës. Hoxha për të justifikuar qëndrimin e tij të deritashëm, bëri dhe një lloj psikoanalize të Jakovës:
       Tuku është i butë prej natyre, por komunistët e ndërrojnë natyrën dhe e gdhendin, farkëtohen në luftën e Partisë, e cila i ndreq komunistët, u spastron të metat… Tuku ka bërë pak përparime në këtë drejtim dhe nga butësia e tij ka kaluar në qëndrime oportuniste ndaj vijës politike. Tuku nuk i jeton si duhet momentet e rëndësishme nga ku kalon Partia, vendi ynë, kampi i socializmit. Ai nuk e realizon si duhet luftën e klasave që po zhvillohet, nuk e realizon si duhet presionin e armikut të jashtëm dhe të brendshëm kundër Partisë dhe pushtetit tonë popullor.[cxxvii]
      Me këtë Hoxha e kishte hallin që të justifikonte mbështetjen që i kishte dhënë Jakovës. Ky i fundit, në kohën e luftës kundër Xoxes ishte quajtur një hero, ndërsa tash për të flitej në këto terma. Hoxha, në raportin e vet do t’ u bënte jehonë të gjitha kritikave të Shehut ndaj Jakovës:
       Ndërhyrjet e Tukut pranë Armës së Sigurimit kanë qenë në një sërë rastesh dhe të atilla, që tregojnë mungesën e palejueshme të vigjilencës dhe mosvlerësimin e armikut. Tuku ndërhyn për lirimin e tre elementëve armiq në burgun e Shkodrës, ndërhyn për lirimin nga burgu të një prifti nga Durrësi, për lirimin nga ushtria të një prifti armik, për lirimin nga burgu të një armiku, i cili porsa doli nga burgu u arratis bashkë me të jatin dhe dy të tjerë. Kjo u bë pasi i ati i këtij të burgosuri shkoi dhe u prit në shtëpi prej Tukut. Ai pret në shtëpi një «kulak» i cili i qan hallin dhe Tuku e beson se çfarë i thotë ai, duke akuzuar një oficer të Sigurimit të Shtetit në degën e Krujës.[cxxviii]
      Në të vërtetë të gjithë udhëheqësit e lartë të partisë i lejonin vetes veprime të tilla, që nga Hoxha dhe deri tek vetë Shehu, i cili 30 vjet më pas do të eliminohej duke u marrë shkas pikërisht nga një veprim i këtij lloji. Hoxha e kritikon Jakovën në raport se:
       Edhe çështja e pritjes së priftit reaksionar në shtëpi, që u ngrit dhe u analizua këtu, nuk është një gjë e shkëputur. Këtë ja shpjeguam dhe në Byro, kur e thirrëm, por për këtë ai u shpreh «ç’ mu desh mua që ta prisja». Po ai do ta priste njëmijë herë priftin, sepse në ato pozita ishte. Prandaj Tuku duhet të thellohet mirë dhe ta kuptojë se në lidhje me kishën katolike, ai nuk ishte dakord me vijën e Partisë. Të mos jesh dakord me politikën e Partisë ndaj Vatikanit, ndaj kishës katolike që është agjenturë e tij dhe që e ka dëmtuar jashtëzakonisht popullin tonë, kjo është shumë e rëndë, jo vetëm për një udhëheqës, po bile dhe për një komunist të thjeshtë.[cxxix]
      Hoxha eviton të sqarojë se si është e mundur që kur këto gjëra qenë kaq të rënda, ai e mbrojti deri në fund Jakovën. Kjo ndodhte se ekzistonte rregulli i pashkruar që, derisa një udhëheqës komunist duhej të sillej ashtu siç thoshte Hoxha, ndaj reaksionarëve në tërësi, një udhëheqësi komunist i tolerohej të sillej ndryshe në raste të veçanta. Natyrisht që një arsye për të cilën tolerohej kjo gjë, ishte që këto gjëra të përdoreshin kur ishte e nevojshme për të eliminuar udhëheqësin në fjalë, siç po ndodhte tash me Jakovën. Nga fjalët e mësipërme të Hoxhës bëhet e qartëe se, për faktin që institucionet fetare ekzistonin sipas së drejtës së përcaktuar në Kushtetutë, për çka fjalimi i Hoxhës në këtë pikë ishte antikushtetues, atij dhe të pranishmëve nuk bëhej vonë. Komunistët nuk pushuan së pari veten si një konspiracion edhe kur erdhën në pushtet, ashtu si në kohën e luftës. Ata ligjet që kishin miratuar vetë i shikonin si aspekt të propagandës, si disa deklarata të cilat nuk qenë të detyruar t’ i zbatonin. 
      Plenumi IX në shkurt 1951 e shkarkoi Jakovën nga posti i Sekretarit për Kuadrot në Komitetin Qendror dhe nga Byroja Politike. Por Jakova mbeti anëtar i Komitetit Qendror, vetëm se e mbrojti Hoxha, i cili do të deklaronte:
       Me propozimin që bëri Pilua për përjashtimin nga Komiteti Qendror unë nuk jam dakord, pse ishte një propozim i avancuar, po me kritikën e tij jam dakord.[cxxx]
      Me përjashtimin e Jakovës nga Byroja Politike, tashmë, asnjë anëtar i Byrosë Politike nuk qe katolik dhe kështu do të vazhdonte deri në shkrirjen e Byrosë Politike në 1991. Byroja Politike, pas përjashtimit të Jakovës përbëhej nga shtatë muslimanë dhe një ortodoks. Me përjashtimin e Jakovës tashmë në Byronë Politike nuk kishte asnjë punëtor. Një tjetër eliminim që u bë në Plenumin IX, ai i Theodhor Hebës, ish-drejtorit të Drejtorisë së Kuadrit në Komitetin Qendror, bashkëpunëtorit më i afërt i Jakovës, Është sinjifikuese ajo çka Hoxha do të thoshte për Theodhor Hebën në plenum, flet shumë për të vërtetën e udhëheqjes komuniste:
       Theodhori thotë se nuk paska lexuar asnjë vepër të klasikëve të marksizëm-leninizmit, bile as «Historinë e Partisë Bolshevike». Po a mund të ketë anëtar Partie që të mos ketë lexuar një faqe të «Historisë së Partisë Bolshevike»? Unë mendoj se një njeri të tillë nuk mund të ketë në Parti. Në qoftë se është ashtu atëherë çfarë lexon dhe çfarë bën Theodhori.[cxxxi]
      Hoxha, duke mos e mposhtur dot natyrën e vet prej komediani, deklaron  se një funksionar kaq i rëndësishëm i partisë, nuk kishte lexuar asgjë nga literature komuniste! Theodhor Heba, i krishterë ortodoks, ishte emëruar nga Hoxha, i cili pas eliminimit të Xoxes donte t’ i shndërronte të krishterët ortodoksë në një bazë të fuqisë së vet personale. Tashmë Byroja Politike kishte vendosur shkrirjen e Drejtorisë së Kuadrit të Komitetit Qendror dhe të seksioneve të kuadrit pranë komiteteve të partisë në rrethe. Këtë funksion do ta kryenin sektorët e tjerë të Komitetit Qendror. Theodhor Heba do të përjashtohej nga Komiteti Qendror.
      Në plenum si zëvendësues i Jakovës në në postin e sekretarit të Komitetit Qendror për kuadrot, do të zgjidhej minoritari grek, Spiro Pano. Për Spiro Panon, Hoxha do t’ i thoshte një vit më pas të ngarkuarit me punë sovjetik në Tiranë, Karjetkin:
       Jo menjëherë Spiro Pano erdhi në Partinë Komuniste të Shqipërisë. Vetëm në mars 1943 ai e braktisi Grupin «Zjarri»… njëri nga tiparet karakteristike të të cilit ishte pikërisht shovinizmi grekomadh.[cxxxii]
      Në Plenumin IX, në shkurt 1951, Hoxhës iu desh papritur dhe kundër dëshirës së vet, që të eliminonte politikisht edhe mikun e vet të vjetër, ministrin e Drejtësisë, minoritarin grek, Manol Konomi. Manol Konomi pas shpërthimit në Legatën Sovjetike u shpreh kundër dekretit që doli me këtë rast, sipas të cilit gjyqi i të arrestuarve që akuzoheshin për «terrorizëm» bëhej në mungesë dhe vendimi për dënimin, i cili zakonisht ishte kapital, nuk mund të apelohej. Dekreti ishte kopjim i dekretit që doli në Bashkimin Sovjetik pas vrasjes së Kirovit në 1934. Por ata që u arrestuan me rastin e shpërthimit tek Legata Sovjetike tashmë qenë pushkatuar kur doli dekreti, sipas të cilit ata duhet të gjykoheshin! Por Prokuroria as që e mori mundimin që të provonte se ata kishin në ndonjë farë mënyre lidhje me shpërthimin tek Legata Sovjetike. Ata u ekzekutuan thjesht për t’ u treguar sovjetikëve se si reagonte regjimi në rastin kur atakoheshin sovjetikët në Shqipëri. Hoxha dhe Shehu mendonin se sovjetikët mund ta kishin bërë shpërthimin për të vënë në provë ata, se si do të reagonin, prandaj dhe reaguan aq egërsisht. Por me rastin e paraqitjes së dekretit Konomi dha dorëheqjen si ministër. Për këtë gjë Hoxha do të thoshte në Plenumit IX, në shkurt 1951:
       Pse ka kërkuar Manoli të largohet nga detyra si ministër? Kjo mbetet e pashpjegueshme. Unë e njoh Manolin. Ai ka mësuar për drejtësi, ka 6-7 vjet eksperiencë dhe e njeh zanatin. Atëherë pse gjithë kjo «modesti» te ai? E vërteta është se Manoli ka frikë nga drejtësia dhe ashpërsia e Partisë kundër armiqve të klasës, të brendshëm ose të jashtëm… Mos vallë mendon Manoli t’ i ketë këmbët dhe këtej dhe andej dhe të thotë se fundi i fundit nuk është ai, që ka vrarë elementët armiq të popullit, po të tjerët?[cxxxiii]
      Hoxha e kishte kuptuar saktë Manol Konomin. Ky mendonte se në situatën e krijuar nga lufta në Kore, regjimi komunist në Shqipëri do të shembej, dhe për krimet e bëra gjatë tij do të mbahej përgjegjësi. Plenumi e përjashtoi Manol Konomin nga Komitetit Qendror, madje më pas ai u përjashtua edhe nga partia, por megjithatë punoi  jurist në aparatin Kuvendit Popullor, deri ku doli në pension. Hoxha qartësisht e mbrojti mikun e tij të vjetër. Vendin e Manol Konomit si ministër e zuri njeriu i Shehut, Bilbil Klosi, i cili rikthehej kështu në poste të larta pas shkarkimit në 1949.
      Një nga eliminimet e Plenumit IX për të cilin Hoxha ishte në një mendje me Shehun, ishte ai i Sali Ormënit. Sali Ormëni, nga Tragjasi i Vlorës, ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme (mbulonte policinë), kandidat i KQomitetit Qendror dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Sali Ormëni, kur u njoh me kritikat që i bëheshin Jakovës, i kishte thënë në konfidencë zëvendsministrit tjetër të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu:
       tek Tuku nuk mund të ndodhin këto gjëra.[cxxxiv]
      Sali Ormëni, qartësisht i ka besuar Kadri Hazbiut si vlonjat, por ky i fundit, duke e ditur që eliminimin e Jakovës e donte Shehu, si dhe duke parë fuqizimin e Shehut e duke dashur që t’ i tregonte atij se i ishte besnik, e spiunoi kolegun e vet tek Shehu. Hoxha do të thoshte kështu për Sali Ormënin, në Kongresin II të PPSH, në 1952:
       Sali Ormëni disa javë para plenumit të IX manifestoi kriza nervozizmi, duke thënë se ka bërë gabime të rënda karshi partisë. Ju kërkua t’ i pohonte këto gabime dhe ai tha se ka pasë marëdhënie me disa persona, të cilët kanë tentuar t’ i vjedhin sekrete shtetnore, porse s’ kanë mundur t’ ia vidhnin sipas thënies së tij. U këshillua që të ketë shumë kujdes herë tjetër dhe me që ishte i rënë mjaft fizikisht dhe moralisht u këshillua të merrte pushim. Për këtë arsye ai nuk u ndodh në mbledhjen e plenumit të IX, po kur ju komunikuan vendimet ai nuk ka qenë dakort dhe disa ditë më vonë shkoi në Elbasan, ku ndodhej dhe Beqir Ndou. Pasi ndenji disa orë me të ay u nda nga Beqir Ndou, dhe dyke kërcënuar shoferin me kobure i tha këtij të largohej dhe të shkonte të lajmëronte se Sali Ormëni u aratis. Të nesërmen forcat që shkuan në ndjekje e gjejnë që kish vrarë vehten në një pyll afër Elbasanit. S’ ka asnjë dyshim se ai ishte një armik i fshehtë i popullit dhe i partisë.[cxxxv]
      Ajo që të bën përshtypje këtu është se Hoxha nuk dyshoi për asnjë moment se Sali Ormënin mund ta kishin vrarë. Vdekja e Sali Ormënit në një pyll afër Elbasanit, ka simbolikën e vet, duke të sjellë ndërmend atë që kishte ndodhur mes Hoxhës dhe Ormënit në 1943, në Tragjas të Vlorës, që e kam treguar më lart në këtë libër. Duket se Sali Ormëni më në fund e mori përgjigjen për pyetjen që i bëri Hoxhës në maj 1953 se kush ishte ai në të vërtetë, se emrin me të cilin paraqitej, Usta Hasani nga Elbasani, nuk e besonte kush.
      Hoxha fuste një simbolikë të qartë në vrasjen e viktimave të tij. Shehu, i cili thoshte lart e poshtë se Hoxha në kohën e luftës i kaloi të gjitha netët në shtrat me çarçafë të bardhë, u gjend i vrarë në shtratin e vet, në mes të çarçafëve të bardhë. Spiru që i shkruajti Titos një letër ironizuese për Hoxhën, u gjend i vrarë në zyrën ku kishte shkruar letrën.
      Një dëshmi interesante për vdekjen e Sali Ormënit do të jepte Beqir Ndou, emri i saktë i të cilit ishte Beqir Ndue Sokoli, dhe pavarësisht nga emri “Beqir” ishte katolik nga Tropoja. Beqir Ndou, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes, u thirr në Tiranë ku do të dëshmonte për takimin me Sali Ormënin:
       Unë këtu i kam dhënë Saliut një cigare dhe ai më tha se nuk e pi dot se ma ka ndaluar doktori. Është interesante mendoj unë, sesi një njeri që kish ndërmend të vriste veten, mos të pinte duhan për arsye shëndetësore.[cxxxvi]
      Beqir Ndout, i cili kishte qenë drejtor i Sigurimit të Shtetit në vitet 1948-1949, nuk i falej të mos e dinte se vërejtje të tilla që tregonin talent policesk nuk i pëlqenin «Usta Hasanit» nga Elbasani. Sa i përket vdekjes së Sali Ormënit ka një episode interesant të cilin e përshkruan ministri sovjetik në Tiranë, Çuvahin, i cili në 16 qershor 1951 i raporton Moskës:
       Në seancën e fundit të Kuvendit Popullor ndodhi si më poshtë. Kur u ngrit çështja e zgjedhjes së anëtarit të ri të Presidiumit të Kuvendit Popullor, njëri nga deputetët pyeti se pse po zgjidhet edhe një anëtar i Presidiumit. Kësaj pyetjeje të ligjshme nuk iu përgjigj askush nga udhëheqësit e partisë dhe të qeverisë që ishin të pranishëm në atë seancë. Heshtën edhe anëtarë të Presidiumit mes të cilëve ka edhe anëtarë të KQ të partisë. Vetëm atëherë kur dikush nga deputetët bërtiti me zë të lartë se «E zgjedhin në vendin që ka mbetur i lirë», deputeti që kishte bërë pyetjen u përgjigj: «E po tani është e qartë gjithçka». Theksoj nga vetja ime se bëhet fjalë për zgjedhjen e anëtarit të ri të Presidiumit të Kuvendit Popullor, në vend të ish zëvendësministrit të punëve të brendshme Sali Ormëni që ishte ngatërruar me lidhje me armikun dhe siç është bërë e ditur i dha fund jetës, me vetëvrasje.[cxxxvii]
      Ministri sovjetik nuk e përfshin kot këtë episod në raportin e vet. Duket se në shkëmbimin e fjalëve mes dy deputetëve është aluduar se po shpërblehej njeriu që mori pjesë në vrasjen e Sali Ormënit. Zëvendësuesi i Sali Ormënit në Presidiumin e Kuvendit Popullor ishte Ramiz Alia, vrasësi personal i Hoxhës, «më i miri i kokëprerësve», siç thotë Macbeth për vrasësin e vet të paguar. Sigurisht që Ramiz Alia nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasjen e Sali Ormënit, por fjalët e shkëmbyera nga dy deputetët, të cilët me shumë gjasë duhet të kenë qenë vlonjatë tregonin se tashmë Ramiz Alia përflitej si njeri i misioneve të errëta speciale të Hoxhës.


5.
Ndëshkimi prej Titos: Si është e mundur- i them Jepishevit- që këtë aventurier aristokrat francez e mbani këtu, dhe ku, në krye të shkallëve historike?!

      Në mars 1951 Hoxha u nis në Bashkimin Sovjetik, duke kaluar atë që mund të quhej kalvari që i kishte imponuar Tito, i cili duke ndaluar qarkullimin me avion mbi territorin jugosllav nga Shqipëria dhe në drejtim të saj, i la si rrugë të vetme Shqipërisë për t’ u lidhur me Bashkimin Sovjetik, atë detare. Që ky ishte vërtet një kalvar, këtë e pohon Hoxha:
       Për të vajtur në Moskë na duhej të bënim 8 ditë rrugë me vapor nga Durrësi në Odesë dhe me vapore jo të mëdha (si «Kotovski», «Çiaturi»), që të shkundnin mirë. Dy ditë të tjera duheshin me tren Odesë- Moskë.[cxxxviii]
      Tito, pa dashje, me këtë kishte krijuar dhe një ritual ironizues për Hoxhën:
       Pas prishjes së marrëdhënieve me Titon, në Bashkimin Sovjetik shkonim me det, sepse jugosllavët nuk lejonin të kalonim me avion mbi territorin e tyre. Kështu që na është dashur të qëndronim shumë herë në Odesë ku jemi takuar edhe me të famshmin Jepishev, sekretar i parë i Odesës dhe më pas drejtor politik i ushtrisë sovjetike. Asgjë interesante nuk pamë atje. As katakombet e dëgjuara të Odesës nuk na çoi t’ i vizitonim, bile as shkallët historike të Potjemkinit, pse duhej t’ i zbritnim me këmbë. Vetëm nga automobili i pamë këto shkallë të famshme që nisnin nga statuja e Risheljesë, guvernator i qytetit në fillim të shekullit të 19-të.
-Si është e mundur- i them Jepishevit- që këtë aventurier aristokrat francez e mbani këtu, dhe ku, në krye të shkallëve historike?!
-Po ja, ka mbetur- m’ u përgjigj sekretari i komitetit të partisë të Odesës.[cxxxix]
      Hoxha, për gjashtë vjet rresht (1949- 1955), ishte i detyruar që të kalonte para statujës së aventurierit francez, sa herë që shkonte në Bashkimin Sovjetik. Armand Emmanuel Sophie Septemanie du Plessis, duka i Richelieu (1766-1822) ishte një aristokrat francez që në kohën e Revolucionit emigroi në Rusi ku arriti të bëhet  guvernator i asaj që u quajt Rusia e Re, dhe që përfshinte tokat që i qenë marrë kohët e fundit Imperisë Osmane (ish-khanati tartar), në atë që është sot Ukraina jugperëndimore. Kur u kthye në Francë, pas rënies së Napoleonit, ai do të pasonte Taillerand-in si kryeministër. Hoxha ishte i ngjashëm me Richelieu, pra ishte një aventurier që vinte nga një botë e ndryshme nga ajo së cilës tash i qe përkushtuar. Hoxha u  shtir si shumë revolucionar kur kërkoi të hiqej statuja e aristokratit francez, gjë që nuk e kishte bërë as Stalini. Këtë Hoxha e bëri se i digjte e shkuara e tij në atdheun e Richelieu, në Francë, ku nuk u bë komunist e revolucionar, por tentoi të bëhet intelektual borgjez.
      Në Moskë, në 2 prill 1951, Hoxha do të takohej për herë të fundit me Stalinin. Në prag të nisjes së Hoxhës në Bashkimin Sovjetik, në Byronë Politike ishte vendosur përshpejtimi i kolektivizimit të bujqësisë, me ç’ rast u thirr  Plenumi X i Komitetit Qendror, në 9-10 prill 1951, që do të merrte këtë vendim. Dita e Plenumit nuk u caktua rastësisht në kohën që Hoxha do të ishte në Bashkimin Sovjetik. Stalini e kishte frenuar një herë kolektivizimin e përshpejtuar të bujqësisë në Shqipëri, në bisedën që kishte pasur me Hoxhën në mars 1949, në Moskë. Nëse Stalini e ndalonte përsëri këtë gjë si në 1949, atëherë Hoxha do të shfajsohej se vendimi ishte marrë në mungesë të tij. Hoxha pra po sillej sipas stereotipit të vet, siç u soll në kohën e Mbledhjes së Mukjes, Konferencës së Paqes në Paris, apo më pas në kohën e Konferencës së partisë për Tiranën, në 1956, apo Mbledhjes së Bukureshtit në 1960. Pse Hoxha mori vendimin për përshpejtimin e kolektivizimit të bujqësisë në 1951, me gjithëse Stalini dy vjet më parë i kishte thënë që të mos nxitoheshin për këtë? Hoxha, ashtu si Stalini në fund të viteve njëzet në Bashkimin Sovjetik, e shikonte se kishte një anomali në ekzistencën e një ekonomie kryesisht shtetërore në industri dhe tregti, dhe të një ekonomie kryesisht private në bujqësi. Këto të dyja nuk mund të funksiononin si një sistem; ose duhej të privatizohej industria dhe tregtia, ose duhej të kolektivizohej bujqësia. Hoxha nuk shqetësohej për aspektin ideologjik të çështjes, por për atë praktik që kishte lidhje me sigurinë e regjimit të tij. Është ironi e madhe që Hoxha ishte vënë në kundërshtim me Stalinin për shkak se po ndiqte ortodoksinë staliniane. Stalini, i cili sigurisht që ishte informuar nga të dërguarit sovjetikë për vendimin që ishte marrë në Tiranë, e frenoi përsëri vrullin që kishte marrë Hoxha për të bërë kolektivizmin e bujqësisë:
       -Keni shumë kooperativa tani në Shqipëri?- më pyeti shoku Stalin.
-Rreth 90,- i thashë...
Stalini pasi më dëgjoi, më këshilloi:
-S’ duhet të shpejtoheni në ngritjen e kooperativave të tjera bujqësore. Përpiquni të forconi ato kooperativa bujqësore që keni, por ama rendimentet e kulturave bujqësore të këtyre kooperativave duhet të jenë të larta.[cxl]
      Për herë të dytë brenda dy vjetëve, Stalini e shpëtoi fshatarësinë shqiptare nga një katastrofë e ngjashme me atë që kishte ndodhur në Bashkimin Sovjetik. Hoxha, pas kësaj bisede me Stalinin mund të kishte nisur një telegram në Tiranë, me të cilin të kishte anuluar vendimin që do të merrej në plenumin që do të mbahej në Tiranë një javë më vonë. Por Hoxha nuk do të ishte Hoxha po ta kishte bërë këtë gjë. Hoxha donte t’ i tregonte Moskës se vullneti i partisë ishte për kolektivizmin e bujqësisë, por meqënëse atje mendonin ndryshe, ai po e anulonte vendimin. Kështu, me kthimin e Hoxhës në Shqipëri, në maj 1951 u Plenumi XI i jashtëzakonshmën i Komitetit Qendror, në rezolucionin e të cilit thuhet:
       Më datën 14 maj 1951 u mblodh Plenumi i Jashtëzakonshëm i Komitetit Qendror të PPSH nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, shokut Enver Hoxha. Ky plenum mori në shqyrtim edhe një herë çështjen e kolektivizimit të bujqësisë dhe konstatoi se orientimi i dhënë nga Plenumi X i Komitetit Qendror, i mbajtur në muajin prill të këtij viti mbi zgjerimin e kolektivizimit në bujqësi nuk është i drejtë, se detyra jonë kryesore sot nuk është zgjerimi i numrit të kooperativave bujqësore, por është forcimi i kooperativave bujqësore ekzistuese.[cxli]
      Në Plenumin XI, në 14 maj 1951, Hoxha u shfajësua kështu për vendimin e një muaji më parë për përshpejtimin e kolektivizimit të bujqësisë:
       Ne me kolektivizimin jemi 3-4 përqind, kurse demokracitë e tjera popullore janë mjaft përpara, 35-40 përqind. Kjo na influencoi mjaft.[cxlii]
      Hoxha kështu pohoi se ai thjesht imitonte vendet e tjera komuniste, ashtu që të ishte në rregull me Moskën, dhe as që shqetësohej për rrethanat konkrete të vendit, të cilat supozohej të përcaktonin ecjen përpara ose jo të kolektivizimit të bujqësisë. Stalini, në takimin e prillit 1951, do ta habiste Hoxhën edhe me një këshillë tjetër, që kishte të bënte me sigurinë e regjimit komunist shqiptar. Stalini i tha Hoxhës, me pragmatizmin e vet cinik: 
       Mos pranoni më katolikë dhe ortodoksë në Komitetin Qendror, pse ata janë të predispozuar për t’ u bërë agjentë të Romës, Greqisë dhe të Jugosllavisë.[cxliii]
      Në këtë pikë Hoxha duhet të ketë mbetur me gojë hapur, më tepër për sa u përket ortodoksëve se katolikëve, se Stalini ishte vetë ortodoks. Hoxha u kthye duarbosh nga Moska se Stalini këtë herë nuk i dha as ndonjë qese me farë drithi, pasi Hoxha nuk diti t’ i thotë gjë për rezultatin e farës së misrit që i kishin dhënë më parë. Nëse Hoxha nuk dinte gjë për korrjet e misrit të mbjellë me farën e dhënë nga Stalini, ai qe shumë i informuar dhe i angazhuar në fushatën e korrjeve në parti. Spastrimi i ri i radhëve të partisë që filloi në 1950, mbaroi në shtator 1951, pesë muaj pas kthimit të Hoxhës nga Moska. Për këtë Hoxha do të thoshte në Kongresin II të partisë, në 1952:
       Vërtetimi i dokumentave të partisë, filloi rregullisht në 1 prill 1950 dhe mbaroi në fund të shtatorit 1951. Ky veprim ishte një sukses i madh për partinë tonë.[cxliv]
      Pas eufemizmit «vërtetim i dokumentave» ishte hetimi i dosjes të çdo anëtari partie, për të kontrolluar biografinë e tij dhe të të afërmve të tij, nga pikëpamja e luftës së klasave. Rezultatin e kësaj korrjeje të një natyre të veçantë Hoxha e dha kështu:
       Vërtetimi i dokumentave tregoi se në radhët e partisë kanë mundur të hynin njerëz të dyshimtë, të padenjë, deri edhe armiq. Në këta të përjashtuar që përbëjnë gati 8 përqint të efektivit të të gjitha dokumentave të vërtetuara, një pjesë kanë qenë për punë armiqësore në të kaluarën; kanë qënë në radhët e armikut dhe në luftë kundër partisë; një pjesë janë përjashtuar për aktivitetin armiqësor të tashëm.[cxlv]
      Madje Hoxha, kundër praktikës që përdorte kur fliste për ekonominë, në këtë rast i zbërtheu përqindjet dhe në shifra të sakta:
       Vërtetimi i dokumentave i cili tash ka marrë fund, ka përjashtuar nga Partia 3776 vetë. Gjithashtu në këtë periudhë të verifikimit dhe gjatë zhvillimit normal të saj, janë nxjerrë jashtë Partisë edhe 2220 veta të padenjë për të qenë anëtarë të partisë.[cxlvi]
      Kjo do të thoshte se gjithsej qenë 5996 të përjashtuar, të cilët tashmë quheshin efektivisht të deklasuar, çka i vinte në shënjestër për t’ u arrestuar, internuar, “qarkulluar në prodhim” (eufemizëm për atë që ishte efektivisht internim). Këtyre u duhen shtuar dhe anëtarët e familjeve të tyre, si dhe të afërmit.
      Nëse rezultatet e represionit dhe terrorit qenë impresionuese, ato të ekonomisë nuk qenë aspak të tilla. Hoxha në një mbledhje të Byrosë Politike në 16 janar 1952, tha për Rita Markon, i cili së fundi ishte emëruar sekretar i Komitetit Qendror:
       Për Ritën si sekretar që merret me sektorët ekonomikë, kisha të thoshja se ai interesohet mjaft për zgjidhjen e problemeve që i ngarkohen. Ai përpiqet, lufton dhe kjo është një gjë shumë e mirë dhe pozitive.[cxlvii]
     Rita Marko, nga fshati Dishnicë i Korçës, kishte qenë baridhe kishte mbaruar vetëm shkollën fillore. Njohuritë e tij ekonomike kishin të bënin me eksperiencën e tij si shitës qumshti dhe dhalli në tregun e Korçës. Por Rita Markos ia lehtësonte punën Hoxha, i cili ndërhynte kudo, duke përfshirë dhe ekonominë. Angazhimi i Hoxhës në çështjet ekonomike është i mbushur plot me episode që do të zbukuronin çdo antologji anekdotash për komunizmin. Kështu, në 2 shkurt 1952, Hoxha në takimin me Sekretarin e parë të Komitetit të Partisë të Durrësit, zhvillon këtë dialog mahnitës:
       Sekretari: Do të ishte mirë të na jepeshin dy maqina për të përballuar nevojat e qytetit duke blerë në tregje të rretheve të tjera. Kështu mund të sigurojmë shumë gjëra p.sh. patatet në Korçë.
Shoku Enver: Po të marrim patate për Tiranën do t’ ju  japim dhe juve.
Sekretari: Po të kishim mjete, do të bënim diçka siç bëjmë ditët e festave kur u kërkojmë maqinat drejtorëve të ndërmarrjeve dhe vemë e blejmë ushqime në rrethe të tjera.
Shoku Enver: Po djathë keni?
Sekretari: Jo nuk kemi; vaj na ka ardhur dhe peshk kemi pak.
Shoku Enver: Për peshkun e keni vetë fajin. Partia duhet të bëjë një punë të veçantë politike me peshkatarët, pse ky prodhim ka mjaft rëndësi.[cxlviii]
      Në ekonominë e planifikuar socialiste mungonte dhe peshku në Durrës! Në 24 nëntor 1952 Hoxha, në një takim në Tiranë me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Matit, Tahir Minxhozi, njeriun e implikuar në vrasjen e Qemal Stafës, do të thoshte:
       Nga mosrealizimi i planeve këtë vit duhet të importojmë 21 milion rubla misër dhe grurë… Fshatari kërkon beze dhe kripë etj., por në rast se ne ulim planet dhe importojmë 21 milion rubla bereqet, atëherë është e natyrshme se do të kemi më pak beze dhe kripë, pse ashtu si i kërkon fshatari këta artikuj, ashtu i kërkon dhe punëtori e nëpunësi.[cxlix]
      Nuk merret vesh se ç’ lidhje kishte kripa me importin. Apo edhe kripën kishte filluar ta sillte regjimi nga jashtë vendit? Tetë vjet pas ardhjes në fuqi, regjimi i ri, nuk po arrinte t’ u jepte shqiptarëve kripë dhe beze. Ky ishte realiteti i pamohueshëm. Për këtë regjimi fajësonte fshatarët të cilët bënin gjithçka për të evituar grabitjen që u bënte shteti, i cili i trajtonte si bujkrobër. Nëse fshatarët privatë mund të fajësoheshin që nuk ishte realizuar plani i grumbullimit të drithrave, kush do të fajësohej për faktin që gjërat shkonin keq në fermat shtetërore dhe kooperativat bujqësore? Hoxha për këtë kishte përgjigje të llojit si ajo që dha në 11 maj 1953, në Plenumin VII të Komitetit Qendror:
       Nga 331 traktoristë vetëm 54 janë komunistë dhe duhet të përmendim se traktoristët përbëjnë themelin e tërë punës në stacionet e maqinave e të traktorëve.[cl]
      Ky ishte një shpjegim në pajtim me mistikën komuniste sipas së cilës ideologjia prevalon mbi gjithçka dhe është formula magjike për suksesin. Hoxha sigurisht që nuk besonte tek magjia e ideologjisë, por bënte lojën sipas rregullave, në dobi të sundimit të vet. Se ç’ nivel jetese siguronte ekonomia e ideologjizuar në atë kohë, në vend është shumë instruktive ajo çka rrëfen në kujtimet e veta Agim Mero, më pas anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, i cili tregon për rininë e vet, në fillim të viteve pesëdhjetë:
       Pa folur pastaj për ushqimin në konvikt që në dy vitet e para hanim vetëm dyqind gram bukë misri në ditë, në drekë vetëm presh e në darkë lakër të zier me aq pak yndyrë sa pikat e saj në pjatë mund t’ i numëroje me gishta. Mëngjesi ishte një gotë ujë e ngrohtë me pak sheqer, si sherbet.[cli]
      Viti 1951 ishte një vit i vështirë për Hoxhën. Kjo duket dhe nga fakti se atë vit nuk u mbajt kongresi i radhës së partisë, i cili duhet të mbahej në nëntor 1951. Në statutin e PPSH të vitit 1948 thuhej:
       Kongreset e zakonëshme mblidhet të paktën në tre vjet njëherë.[clii]
      Kështu që Kongresi II duhej të bëhej e shumta deri në nëntor 1951, kur në fakt u bë në maj 1952. Kjo ndodhi se Hoxha nuk ndihej i sigurt. Në prag të Kongresit II, dhe gjatë tij, pati eliminime të reja. Hoxha deklaroi në kongres:
      Komiteti Qëndror në mbledhjen e tij të datës 24 mars 1952, përjashtoi nga Komiteti Qëndror shokun Kahreman Ylli, për arsye se me rastin e verifikimit të dokumentit të tij ay nuk u tregua i sinqertë dhe u mundua të fshihte qënien e tij si anëtar i partisë i Partisë Fashiste dhe sidomos anëtar i direktoratit fashist të Peshkopisë.[cliii]
      Që Kahreman Ylli kishte qenë i tillë, kjo gjë dihej me kohë por iu përmend tash se Kahreman Ylli nuk u tregua i dëgjueshëm ndaj Hoxhës. Hoxha ishte shumë i preokupuar për atë se anëtarja e Byrosë Politike, Belishova, e cila kishte mbetur e ve, në moshën 21 vjeç, nuk po martohej. Nuk perceptohej mirë nga populli që një politbyroiste 26 vjeçare të ishte e pamartuar. Por Hoxha ishte i shqetësuar dhe nga ndonjë martesë e papritur që mund të kombinonin Shehu me Fiqret Shehun, për ta lidhur më fort Belishovën me veten. Prandaj Hoxha thirri Kahreman Yllin, dhe i propozoi që të martohej me Belishovën, duke i ofruar dhe një post ministri si pajë speciale nga regjimi. Kahreman Ylli, të cilit nuk i pëlqeu ky propozim, u largua duke thënë se do të mendohej dhe bëri një martesë rrufe, duke e vënë Hoxhën para faktit të kryer. Hoxhës nuk i pëlqenin këto surpriza kështu që i hapi dosjen Kahreman Yllit dhe e ndëshkoi si ish-fashist. 
      Në Kongresin II, Hoxha shkëlqeu si një komedian i vërtetë. Në fillim ai bëri liturgjinë e zakonshme, duke sharë SHBA:
       Është e kjartë për të gjithë se politika aventuriere dhe kriminale e qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe e gjithë atyre shteteve që janë nënë zapin e fashistave amerikanë, e komplikon çdo ditë e më shumë situatën ndërkombëtare, e bën këtë më të rëndë.[cliv]
     Pastaj bëri liturgjinë e zakonshme për Bashkimin Sovjetik. Në kohën që ai vetë kishte pohuar se populli nuk kishte kripë, beze, presh dhe vaj, dhe se ndihma sovjetike ishte shumë më e vogël se ç’ pritej, ai tha:
       Populli i jonë e di se këtë lumturi që gëzon sot dhe sigurinë në të ardhëshmen e tij ja detyron Bashkimit Sovjetik dhe të madhit Stalin, prandaj ai i do këta me gjithë shpirt.[clv]
      Hoxha, para se të fliste për gjendjen ekonomike në Shqipëri, dhe buxhetin e qeverisë së tij, filloi të flasë çuditërisht për atë në Bashkimin Sovjetik:
       Sukseset e Bashkimit Sovjetik në ndërtimin ekonomik e kultural, buxheti për vitin 1952 që aprovoi kohët e fundit Sovjeti Suprem i Bashkimit Sovjetik tregojnë fuqin e madhe të sistemit shoqëror sovjetik dhe politikën paqësore staliniane. Të ardhurat në buxhetin e shtetit sovjetik për vitin 1952 do të jenë 509.911.608.000 rubla dhe shpenzimet 476 miliardë dhe 920 milionë e 588.000 rubla, nga të cilat 180 miliardë e 400 milion rubla do të përdoren për zhvillimin e ekonomisë kombëtare, 124 miliardë dhe 800 milionë rubla për vepra shoqërore dhe kulturale. Pjesa më e madhe e buxhetit do të përdoren për të financuar ekonominë kombëtare dhe kulturën. Vetëm 23 për qint e shpenzimeve do të përdoren për mbrojtjen e vëndit.[clvi]
      Pasi Hoxha foli në mënyrë të detajuar për gjendjen ekonomike në Bashkimin Sovjetik, ai u shpreh për gjendjen ekonomike në Shqipëri:
       Nuk do të hy në detalje dhe në shifra të planit pesëvjeçar, pse ai do të trajtohet në pikën e dytë të rendit të ditës nga shoku Mehmet Shehu, por dua të theksoj, vetëm me disa shifra rëndësin e madhe të planit pesëvjeçar.[clvii]
      Kryeministri po thoshte se për gjendjen ekonomike në vend do të fliste në mënyrë të detajuar ministri i Punëve të Brendshme!
      Një nga pjesët më interesante të raportit të Hoxhës në kongres ishte ajo për nivelin arsimor të partisë. Hoxha, duke folur për këtë tha se në parti kishte 289 vetë (0.96%), që ishin analfabetë, 7543 vetë (25.2%) që nuk kishin mbaruar shkollën fillore, 15356 vetë (51.3%) me shkollë fillore, 3992 vetë (13.3%) me shkollë shtatëvjeçare.[clviii]
      Kështu, tetë vjet pasi partia kishte ardhur në pushtet dhe drejtonte vendin, 77.46% e anëtarëve të saj kishin e shumta shkollën fillore! Organizata pararojë leniniste në Shqipëri përbëhej më së shumti nga filloristë. Hoxha tha më tutje se 2344 vetë (7.7%) qenë me shkollë të mesme. Sipas shifrave që dha Hoxha, tetë vjet pasi partia kishte ardhur në pushtet, vetëm 96 anëtarë partie, ose 0.2% kishin një diplomë universitare. Ajo çka ishte më e keqe, shumëfishi i kësaj shifre me shkollë të lartë, si në parti dhe jashtë saj, qenë eliminuar fizikisht si armiq. Perspektiva nuk dukej më e mirë, as në vitet e ardhshme, sipas shifrave që dha Hoxha për nivelin arsimor të kandidatëve të partisë. Nga 14436 kandidatë partie, 723, ose 4.9% qenë analfabetë, 5847, ose 40.3% nuk e kishin përfunduar shkollën fillore, 6464, ose 44.6% qenë me shkollë fillore, 923, ose 6.3% qenë me shkollë shtatëvjeçare.[clix] Duke bërë mbledhjen e shifrave që dha Hoxha del se 13034 kandidatë partie, ose 89.8% kishin e shumta shkollën fillore, 456 kandidatë partie, ose 3% kishin shkollën e mesme. Vetëm 23 kandidatë partie, ose 0.1% kishin një diplomë universitare.[clx] Partia mbetej parti e injorantëve. Hoxha do të pranonte në kongres se:
       E hidhur është, por duhet thënë se ka edhe udhëheqës partie dhe të organeve shtetnore që nuk e lexojnë shtypin dhe literaturën. Merre me mënd pastaj si mund ta çojnë punën përpara këta katranë.[clxi]
      Duke folur për përbërjen sociale të partisë, Hoxha pohoi se punëtorët përbënin minorancën në partinë që supozohej të ishte e tyre:
       Tash anëtarë dhe kandidatë me origjinë sociale punëtor janë 8.08 për qind dhe me gjëndjen sociale punëtor 11, 5 për qind të të gjithë efektivit të partisë. Në krahasim me numrin e punëtorëve në prodhim, në parti janë të organizuar vetëm 9.73 për qind. Siç shifet numri i anëtarëve dhe i kandidatëve punëtorë është i vogël. Në këtë çështje influencon arsyeja se kllasa e jonë punëtore është e re dhe e vogël dhe tash kjo ritet dhe forcohet krahas me zhvillimin e industrisë, por me gjithë atë rritja e partisë me elementa të kllasës nuk është e kënaqshme.[clxii]
      Pas interesimit që kishte pasur Stalini për shqiptarët e Jugosllavisë, Hoxha foli edhe për ta në kongres:
       Tok me popujt e Jugosllavisë lufton edhe populli shqiptar i Kosovës e Metohisë, i Maqedonisë, i Malit të Zi, kundër të cilit banda fashiste e Titos, po ushtron një terror të jashtëzakonshëm më të egër dhe me çfarosës se terrori i kralëve. Titua dhe banda e trathëtarëve në Kosovë e Metohi me Xhavit Nimanin, Fadil Hoxhën, Ismet Shaqirin, Mehmet Hoxhën etj., armiq të betuar të popullit shqiptar të Kosovës, po vrasin, po burgosin, po internojnë me mijëra shqiptarë. Qëllimi i tyre është të zhdukin shqiptarët e Kosovës, t’ i çkombëtarizojnë, dhe t’ u rrëmbejnë tokat, t’ u zhdukin gjuhën shqipe, t’ i kthejnë në turq, t’ u prishin zakonet dhe besimet e tyre dhe mbi të gjitha të luftojnë në ta dashurinë për Shqipërinë, për atdheun e tyre dhe shpresën që një ditë e lumtur do të vijë që ata do të vetëvendosin për fatin e tyre. Terrori i Titos mbi kosovarët është një krim zhenozid.[clxiii]
      Në Kongresin I, në 1948, edhe pse marrëdhëniet me Jugosllavinë qenë prishur, Hoxha nuk kishte folur për genocidin ndaj shqiptarëve të Jugosllavisë që ishte bërë në vitet 1944-45. Si duket ai priste që Stalini t’ i jepte leje për këtë gjë. Por Hoxha bën përgjegjës për dhunën ndaj shqiptarëve të Jugosllavisë «bandën fashiste të Titos»- një nocion ideologjik ky- dhe jo serbët në udhëheqjen jugosllave, të cilët qenë përgjegjësit e vërtetë të dhunës ndaj shqiptarëve, ndërsa Tito, i mbronte me sa mundte ata. 
      Në kohën e Kongresit II Shehu do të vazhdonte goditjen ndaj njerëzve të Hoxhës. Viktima e ndritur këtë herë do të ishte Spahiu, i cili u shkarkua nga posti i sekretarit të Komitetit Qendror për propagandën dhe nga Byroja Politike. I ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë, V. A. Karjetkin, i raporton Moskës në 7 prill 1952 për eliminimin e Spahiut:
       Akuza kryesore dhe besoj, e vetme që u ngrit kundër tij është oportunizëm. Një sërë faktesh,- tha Enver Hoxha,- e vërtetojnë këtë tipar të Bedri Spahiut. Kështu, dikur, para themelimit të partisë, ai ka qenë anëtar i partisë fashiste dhe madje ka pasë rekrutuar edhe shokë të tjerë.[clxiv]
      Spahiu u akuzua për oportunizëm në sektorin e propagandës që drejtonte, një akuzë e çuditshme kjo kur dihej se Spahiu ishte një radikal, që kishte marrë përsipër detyrën e prokurorit në gjyqet speciale. Fakti që Spahiut iu rihap përsëri çështja e njohur e anëtarësimit të tij në Partinë Fashiste, ishte një gjë veçanërisht tragjikomike sepse dilte pohohej ajo që e dinin të gjithë se prokurori special i Gjyqit Special ndaj kolaboracionistëve të pushtuesve fashistë, si dhe prokurori special i gjyqit të titistëve kishte qenë një fashist! Hoxha, ashtu si në rastin e Jakovës, nuk e donte shkarkimin e Spahiut, por u detyrua ta bënte për shkak të presionit të Shehut. Kjo kuptohet nga ato që i raporton Moskës në 7 prill i ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë, V. A. Karjetkin, për një bisedë që pati me Hoxhën në lidhje me shkarkimin e Spahiut:
       Ne,- deklaroi Enver Hoxha,-këtu, ndoshta, në këtë çështje bëmë një gabim trashanik, një gabim «qind për qind», siç tha ai, por synimet tona kishin për qëllim ta shëndoshnin udhëheqjen e partisë.
      Një qëndrim i tillë i lëkundur i Enver Hoxhës, pasi kjo çështje qe vendosur përfundimisht dhe kishte kaluar nëpër të gjitha instancat, të jep njëfarë shkaku të dyshosh për faktin nëse Enver Hoxha ka qenë me të vërtetë nismëtari i shtrimit për diskutim të krejt këtij problemi ose jo. Si njëfarë shkaku për një dyshim të tillë shërben edhe fakti që pikërisht me propozim të Mehmet Shehut, Hoxha në raportin e vet shtroi çështjen e rrezikut të oportunizmit të djathtë, si rrezikun kryesor në parti në ditët e sotme. Kundër Bedri Spahiut është ngritur akuza pikërisht për oportunizëm. Aq më tepër që Enver Hoxha në nëj bisedë që pati me mua më 28 mars nuk tha asgjë se mendohej për shkarkimin e Bedri Spahiut nga posti i sekretarit, kurse për zbritjen e tij në kandidat për anëtar të Byrosë Politike qe folur me hamendje. Ballafaqimi i të gjitha këtyre rrethanave të bën të mendosh se nismëtar i «dajakut» kundër Bedri Spahiut me sa duket ka qenë Mehmet Shehu.[clxv]
      Hoxha tashmë kishte humbur dy njerëzit e tij të besuar në Byronë Politike dhe në sekretariatin e Komitetit Qendror, Jakovën dhe Spahiun. Ishte e qartë se Shehu po kërkonte ta privonte Hoxhën nga mbështetësit e tij të sigurt, për të pasur mundësi ta eliminonte kur të krijoheshin rrethana të përshtatshme. Disa anëtarë dhe kandidatë me influencë të KQ, të cilët si Spahiu ishin me origjinë nga Gjirokastra, Shefqet Peçi dhe Tahir Kadare, u shprehën kundër dënimit të Spahiut, duke e quajtur të padrejtë derisa të tjerë njerëz që kishin gabuar rëndë në kohën e Xoxes dhe në Plenumin VIII, në shkurt-mars 1948, tashmë qenë rehabilituar.[clxvi]Klani gjirokastrit qe i shqetësuar nga goditja e Spahiut dhe ndihej i rrezikuar. Byroja Politike u mor me këtë çështje, duke e quajtur
       një situatë që ka ekzistuar gjithnjë dhe tani plasi haptazi.[clxvii]
      Hoxha nuk e braktisi Spahiun, të cilin e bëri ministër të Arsimit. Vetëm një komedian si Hoxha mund ta bënte këtë gjë. Një njeri të shkarkohej nga një post si ish-fashist dhe të gjykohej i përshtatshëm për t’ u bërë Ministër i Arsimit! A thua se arsimit shqiptar i duhej fryma fashiste!
      Eliminimi politik për të cilin duket se qenë dakord si Hoxha, ashtu dhe Shehu, ishte ai i Spiro Panos, sekretarit të Komitetit Qendror për kuadrot, i cili në Kongresin II nuk u rizgjodh më në Komitetin Qendror, duke humbur kështu edhe postin që mbante. I ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë, V. A. Karjetkin, i raporton Moskës në 7 prill 1952, për qëndrimin e Hoxhës ndaj Spiro Panos:
       Me një zemëratë shumë më të madhe u shpreh Enver Hoxha kundër Spiro Panos. Gabimi ynë ka qenë,- tha ai,- që në fillim kemi vepruar qorrazi dhe pa mend në kokë në çështjen e ngritjes në pozitë të Spiro Panos... Ç’ është e vërteta ne kemi pasur parasysh edhe diçka tjetër, që Spiro Pano vjen nga rradhët e minoritetit grek dhe e kemi quajtur gjë pozitive të kemi në KQ një njeri të tillë. Pra, siç doli më vonë ky fakt pati pasoja të kundërta negative. Tani,- tha Enver Hoxha,- unë u binda veçanërisht për drejtësinë e padiskutueshme të fjalëve të shokut Stalin, i cili në njërën nga bisedat që ka bërë me mua më këshilloi të tregohemi të kujdesshëm dhe vigjilentë në çështjen e minoritetit grek.[clxviii]
      Duket se shkarkimi i Spiro Panos ndodhi pasi Stalini e kishte këshilluar Hoxhën që të mos ngrinte minoritarë grekë në poste të lartë, për shkak se Greqia përbënte rrezikun kryesor për Shqipërinë. Kur Hoxha kërkon të justifikojë shkarkimin e Spiro Panos edhe me argumente të tjera, ai zbulon se kriteret e regjimi për ngritjen e njerëzve në poste të larta qenë më së paku të çuditshme. Në vazhdim të raportimit të vet për Moskën, i ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë, V. A. Karjetkin, sjell fjalët e Hoxhës:
       Një nga tiparet e Spiro Panos që ra në sy sidomos pas ngritjes së tij në postin e zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave dhe mandej të Sekretarit të KQ, është karrierizmi dhe mendjemadhësia e tij. Duke zënë këto poste ai, po e manifestonte sidomos dukshëm dëshirën për t’ u ngjitur më lart, për t’ u ngritur mbi të tjerët.[clxix]
      Nëse Spiro Pano i shfaqi këto veti të këqija si zëvendëskryeministër, atëherë si është e mundur që ai u ngrit në një post më të lartë, siç ishte ai i sekretarit të Komitetit Qendror për kuadrot? Por ajo që thotë Hoxha më poshtë për Spiro Panon ngre një dyshim të madh për vetë Hoxhën. I ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë raporton Moskës se Hoxha i ka thënë më tutje për Spiro Panon:
       Cila është arsyeja,- tha Enver Hoxha,- që ne qemë të detyruar të shkarkonim Spiro Panon jo vetëm nga posti i Sekretarit të KQ, por ta përjashtonim edhe nga KQ? Para së gjithash, Spiro Pano ka qenë për një kohë të gjatë një shovinist i tërbuar, i cili po priste 'çlirimin' e minoritetit nga Greqia monarkike. Krejt familja e tij i përmbahej një ideje të tillë, sidomos xhaxhai i tij që kishte qenë edukator i tij. Ndër të tjera, pavarësisht se ky xhaxhai i tij është është jo vetëm një shovinist i tërbuar, por edhe armik i Bashkimit Sovjetik dhe dikur paska shkruar një libër kundër shokut Stalin dhe kundër Internacionales Komuniste. Spiro Pano, deri tani vonë, vazhdoi të ketë marrëdhënie me të, ka kërkuar ta sistemojë në punë.[clxx]
      Derisa Hoxha i dinte këto gjëra që më parë, atëherë si shpjegohet që e ngriti Spiro Panon në këto poste të larta? Kjo shpjegohet vetëm me faktin se Hoxha kërkonte të kishte një interlokutor me Greqinë, për të shpëtuar veten në rast se regjimi i tij përmbysej nga një mësymje ushtarake greke. Hoxha, megjithatë nuk e braktisi Spiro Panon. Ai do të merrte edhe në të ardhmen poste të rëndësishme. Hoxha, në fjalimin e mbylljes në Plenumin XV të Komitetit Qendror, në 23 dhjetor 1959 tha:
       Spiro Pano duhet të thërritet të marrë masa që t’ u vërë fre njerëzve të pandërgjegjshëm të grumbullimit që vjedhin fshatarët për të qenë vetë brenda, se nga një gjendje e tillë u krijohen atyre mundësi që, duke pasur teprica leshi, pambuku etj., të vjedhin edhe vetë. Po për këtë nuk mjafton vetëm puna që do të bëjë Spiro Pano. Partia dhe pushteti në bazë t’ i kenë nën kontroll këta njerëz se edhe ata mund të jenë të ndershëm, por në fillim mendojnë se është më mirë të dalin sufiçit dhe pastaj kalojnë në vjedhje.[clxxi]
      Në tekst është ky shënim sqarues për Spiro Panon:
       Në këtë kohë kryetar i Komitetit Shtetëror të Grumbullimeve.[clxxii]
      Si ishte e mundur që pas atyre që u thanë për Spiro Panon në 1952, tash mbante një post kaq delikat dhe me përgjegjësi?! Derisa në Komitetin Shtetëror të Grumbullimeve ndodhnin ato që thotë Hoxha, atëherë Spiro Pano nuk mund të mos abuzonte.
      Vendin e Spiro Panos si sekretar i Komitetit Qendror e zuri Josif Pashko. Për të i  ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë, në 7 prill 1952 i raportonte Moskës:
       Mua m’ u krijua përshtypja se ngritja e Josif Pashkos, ish-zëvendësit të Mehmet Shehut në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të emëruar po me propozimin e tij në postin e ministrit të Kontrollit të Shtetit, u bë, natyrisht me nismën e Mehmet Shehut.[clxxiii]
      Shehu, derisa po eliminonte njërin pas tjetrit njerëzit e Hoxhës, po ngrinte njerëzit e vet. Hoxha, tek i cili tensioni po bëhej gjithherë e më i fortë, nuk mund ta duronte më këtë gjendje. Hoxha, nga njëra anë nuk ishte i aftë që  ta eliminonte Shehun, në anën tjetër nuk ishte i aftë të përmbante frikën se Shehu po lëvizte për eliminimin e tij. Në këto rrethana, Hoxha deshi të bënte diçka për ta kënaqur Shehun, duke i dhënë zyrtarisht dhe formalisht postin e vicediktatorit, të cilin ai e kishte praktikisht. Në lidhje me këtë, i ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë, V. A. Karjetikin, në 7 prill njofton Moskën:
       Në mbledhjen e Byrosë Politike ai propozoi papritmas që Mehmet Shehun ta kishte zëvendësin e vet zyrtar në postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Duke e argumentuar këtë propozim të vetin, Enver Hoxha deklaroi në bisedë e sipër se Mehmet Shehu, faktikisht, është tashmë zëvendësi i tij, personi i dytë në parti dhe në qeveri. Të tillë e konsideronte atë dhe populli. Prandaj pranimi zyrtar i kësaj situate, veç do të ndihmonte në forcimin e udhëheqjes së partisë. Megjithatë, një ide e tillë u la një herë për një herë deri në kongresin tjetër.[clxxiv]
      Ky ishte një post krejt i rrallë në botën komuniste. Zëvendës të këtillë kishte vetëm Rakoshi në Hungari, dhe kjo për faktin se ai ishte çifut. Hoxha mendonte se Shehu do të ishte i kënaqur me këtë post. Që Shehu kishte filluar të bëhej një problem shumë serioz për Hoxhën kjo kuptohet nga fakti se ky i fundit kishte menduar dhe të tjera lëvizje për të neutralizuar Shehun. Për këtë i ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë, V. A. Karjetikin njofton Moskën në 7 prill 1952:
       një tjetër propozim i Enver Hoxhës vazhdon të jetë në rendin e ditës. Sipas këtij propozimi duhet që Mehmet Shehu të hiqet nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe t’ i ngarkohet drejtimi i gjithë punës së KQ dhe, përgjithësisht i aparatit të partisë.[clxxv]
      Nëse Shehut do t’ i jepej një post i tillë, atëherë kjo do të thoshte që të rikthehej koha e dualitetit parti-qeveri, kur partia punonte më vete dhe qeveria më vete, gjë për të cilën Hoxha ankohej në kohën kur Xoxe ishte numri dy i regjimit. Atëherë Hoxha e shikonte dualitetin parti-qeveri si rrezikun më të madh për veten. Pse tash ai po e merrte parasysh këtë rrezik dhe e shikonte si zgjidhje? Një fill për ta shpjeguar gjendet në raportin e të ngarkuarit me punë sovjetik në Tiranë për Moskën:
       Tani veç mund të hamendësojmë nëse Enver Hoxha në synimin e tij për ta hequr Mehmet Shehun nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe për të kaluar në punë partie, udhëhiqet me të vërtetë nga dëshira për të forcuar punën e aparatit të partisë, apo vazhdimi i mbajtjes së këtij posti nga Mehmet Shehu, po fillon t’ i shkaktojë ndonjë shqetësim.[clxxvi]
      Derisa Hoxha e kishte quajtur shqetësim të madh kontrollin nga vetëm një njeri të aparatit të Komitetit Qendror, atëherë del arsyeja për të cilën qe gati t’ ia bënte këtë koncesion Shehut ishte se e shikonte si më të rrezikshme qënien e Shehut në krye të Ministrisë së Brendshme, ku ai kontrollonte Sigurimin e Shtetit si dhe forca të tjera të konsiderueshme ushtarake, që nga policia, e cila sipas organizimit të regjimit ishte një forcë ushtarake.
      Një tjetër shenjë e konfliktit mes Hoxhës dhe Shehut ishte fakti se në Kongresin II të partisë, në 1952, megjithëse nuk Byronë Politike qenë shkarkuar dy anëtarë, nuk u pranua asnjë anëtar i ri, për të plotësuar numrin prej nëntë anëtarësh, duke mbetur Byroja Politike me vetëm me shtatë anëtarë. Sa për zgjedhjen e kandidatëve të Byrosë Politike, i ngarkuari me punë sovjetik në Tiranë, V. A. Karjetkin, i raportonte Moskës në 7 prill 1952:
       Meqë ra fjala, në bisedën e 28 marsit u fol për përfshirjen në listën e kandidatëve për anëtarë të Byrosë Politike jo të Manush Myftiut, por të Shefqet Peçit.[clxxvii]
      Pra, Hoxha, para kongresit i kishte thënë diplomatit sovjetik se Shefqet Peçi do të bëhej kandidat i Byrosë Politike. Moszgjedhja e Shefqet Peçit nuk mund të kishte tjetër shkak veç kundërshtimit të Shehut, se Shefqet Peçi ishte njeriu i Hoxhës, nga Kurveleshi, baza e fuqisë personale të këtij të fundit. Një tjetër disfatë për Hoxhën ishte se Belishova, e cila shihej si njeriu i Shehut, u bë sekretare e Komitetit Qendror. Meqënëse asnjëri nga sekretarët e Komitetit Qendror nuk ishte punëtor, atëherë u bë i tillë Rita Marko, i paraqitur paturpësisht si punëtor kur ai kishte qenë bari, duke qenë kucovlleh për nga origjina.
      Tetë vjet pas ardhjes në pushtet Hoxha nuk kishte shkelur ende në një pjesë të madhe të vendit, në gjysmën e Shqipërisë së Veriut. Vetëm në shtator 1952 Hoxha do të zhvillonte një tur të dytë vizitash në Shqipërinë e Veriut, duke shkuar për herë të parë në Pukë, Tropojë, Kukës, Dibër, Mat, ku foli në mitingje. Fakti që vetëm tetë vjet pas ardhjes në pushtet, ai po shkelte në një gjysmën e Shqipërisë së Veriut, fliste shumë për raportin e regjimit me këtë pjesë të vendit. 
      Në tetor 1952 Hoxha shkoi në Moskë për të marrë pjesë në Kongresin XIX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Fakti që Hoxha u ftua në kongres, nuk do të thotë se Stalini e njohu si komunist. Në librin «Historia e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik», i botuar në 1959 në Moskë, dhe i përkthyer në të njëjtin vit në Shqipëri, thuhet për Kongresin XIX të PK të BS:
       Në kongres muarnë pjesë si të ftuar delegatët e 44 partive komuniste dhe punëtore motra.[clxxviii]
      Kështu, në kongres morën pjesë si të ftuara jo vetëm parti komuniste, por edhe jokomuniste, të ashtuquajtura progresiste. Gjatë kongresit Hoxha nuk u prit në takim nga Stalini, as vetëm as në grup. Hoxha në kujtimet bën një truk për ta fshehur këtë kur thotë:
       Pikërisht atje e pashë për herë të fundit Stalinin e paharruar, atje dëgjova për herë të fundit zërin e tij aq të dashur e frymëzues.[clxxix]
      Pra, Hoxha e pa dhe e dëgjoi Stalinin në sallën e kongresit si çdo delegat që ishte i pranishëm në sallë. Si të gjithë krerët e partive të ftuara Hoxha mbajti një fjalim të shkurtër përshëndetës në kongres. Në fjalimin e vet Hoxha e përmendi katërmbëdhjetë herë emrin e Stalinit. Në fund të fjalimit të tij tha:
       Lavdi dhe jetë të gjatë sa malet më të larta të vendit tonë mikut më të madh të popullit shqiptar, Josif Visarionoviç Stalinit.[clxxx]
      Stalini jetoi saktësisht edhe 146 ditë pas këtij urimi. Në fjalimin e vet në Kongresin XIX Hoxha tha:
      Partia e madhe e Lenin-Stalinit është si mëma që na edukon.[clxxxi]
      Më pas do ta kundërshtonte konceptin e partisë-mëmë, të cilin e kishte shprehur vetë. Pas kthimit në Tiranë do të organizohej mitingu i zakonshëm me rastin e kthimit të delegacionit nga Bashkimi Sovjetik, ku Hoxha mbajti një fjalim ku tha:
       Popull i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Jemi një popull jashtëzakonisht i lumtur që kemi në popujt sovjetikë dhe te Stalini i madh miq aq të dashur dhe të shtrenjtë që e duan, e ndihmojnë dhe e mbrojnë me gjithë zemër popullin tonë të vogël, trim dhe paqedashës.[clxxxii]
      Hoxha, as tash dhe as në kongresin që u mbajt më herët atë vit, nuk e gjeti me vend që të jepte shifra për atë se si e kishte ndihmuar Bashkimi Sovjetik Shqipërinë, se sa për atë se si e mbronte nuk mund të paraqiste asnjë akt formal. Nëse populli nuk shikonte me sy ndihmën sovjetike, ai mund të shikonte fare mirë spastrimet sipas stilit sovjetik. Në shkurt 1953 Plenumi V i Komitetit Qendror vendosi:
       të spastrojmë aparatet e shtetit dhe ato ekonomike nga elementi armik, i dyshimtë dhe i padëshirueshëm.[clxxxiii]
      Pas plenumit, në 27 shkurt 1953, në të gjithë vendin u shpërnda një udhëzim i Komitetit Qendror i nënshkruar nga Hoxha, ku thuhej:
       të spastrojmë aparatet e shtetit dhe ato ekonomike nga elementi armik i dyshimtë dhe i padëshirueshëm, si dhe për t’ i mbajtur kurdoherë të pastra këto organizma.[clxxxiv]
      Në zbatim të kësaj direktive filloi një fushatë spastrimesh, në përfundim të së cilës, po atë vit, ministritë dhe komitetet ekzekutive të rretheve raportonin (të dhënat nuk janë për të gjithë vendin) se qenë kqyrur biografitë e 14327 të punësuarve në administratë dhe kishin shkarkuar 1203 vetë.[clxxxv]Kuptohet se të gjithë të shkarkuarit do të klasifikoheshin si të deklasuar të cilët do të qenë në shënjestër për t’ u burgosur ose internuar.


6.

Parodia e madhe: Enver Hoxha, në ceremoninë mortore për Stalinin imiton fjalimin e këtij pas vdekjes së Leninit

      Në 5 mars 1953 ditën që Stalini vdiste, Hoxha i çonte Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik një telegram ku uronte shërimin e Stalinit. Telegrami vinte pas njoftimit zyrtar të bërë në Moskë në 4 mars për sëmundjen e Stalinit. Në telegramin e Hoxhës thuhet:
       Zemrat tona janë në ankth dhe vuajnë, pse vuan ati ynë i shtrenjtë, shpëtimtari i njerëzimit dhe i popujve, pse vuan shoku i lavdishëm i Leninit të madh, udhëheqësi i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe i gjithë njerëzimit përparimtar.[clxxxvi]
      Hoxha nuk ka thënë kurrë në kujtimet e veta për të atin e vet zyrtar, Halil Hoxhën: «ati im i shtrenjtë». Në telegram ka formula kortezie orientale të shartuara me termat ideologjike komuniste:
       Të gjithë komunistët e Shqipërisë, klasa jonë punëtore, fshatarësia jonë, gjithë patriotët e Shqipërisë janë afër jush dhe zemra e mendja e tyre është në Moskë, është në Kremlin, afër shokut të madh Stalin, të cilit ju bëftë dita njëmijë dhe u shëroftë sa më shpejt.[clxxxvii]
      Megjithëse Hoxha dukej kaq i përkushtuar ndaj Stalinit, ai nuk mori pjesë në funeralin e Stalinit në Moskë, ku qenë të pranishëm udhëheqësit e vendeve komuniste dhe partive komuniste nga e gjithë bota. Hoxha shkruan në kujtimet:
       Fill pas vdekjes së Stalinit vdiq Gotvaldi. Vdekje e çuditshme, e papritur. Atyre që e njihnin Gotvaldin, kurrë nuk mund t’ u shkonte ndërmend që ai burrë, i shëndetshëm, i fortë e i shkathët do të vdiste... nga një grip ose një e ftohur që kishte marrë ditën e ceremonisë së varrimit të Stalinit.[clxxxviii]
      Por a nuk ishte e çuditshme që Gotvaldi ishte në funeralin e Stalinit ndërsa Hoxha nuk ishte? Sigurisht që vajtjen e Hoxhës e vështirësonte fakti që Tito kishte ndërprerë komunikimin ajror mbi territorin jugosllav, në drejtim të Shqipërisë dhe nga Shqipëria, dhe një udhëtim në rrugë detare e bënte të pamundur arritjen në kohë. Por në këtë rast të veçantë udhëtimi me avion mund të bëhej në një itinerar tjetër, më të gjatë, mbi Detin Mesdhe, në drejtim të Kaukazit, duke kaluar mbi Siri dhe Iran, vende mbi territorin e të cilave Bashkimi Sovjetik kishte linja ajrore të hapura për fluturime civile. Që nga dita e vdekjes së Stalinit dhe deri në ditën e funeralit të tij kishte pesë ditë kohë gjatë të cilave mund të ishte organizuar udhëtimi i Hoxhës në Bashkimin Sovjetik. Është jashtë çdo dyshimi që Hoxha do të kishte dashur shumë që të gjendej në Moskë atë ditë, dhe sigurisht që ai ua kërkuar këtë gjë sovjetikëve, por këta nuk e pranuan këtë gjë. Hoxha në kujtimet e veta nuk e shpjegon se përse nuk shkoi në Moskë për të ndjekur funeralin e Stalinit. Ai nuk guxon as që të pretendojë se ai nuk qe i pranishëm në Moskë, për shkak se pasardhësit revizionistë të Stalinit nuk e dëshën praninë e tij, për shkak se e shihnin si stalinist të bindur.
      Hoxha, pasi nuk u ndodh dot në Moskë ditën e funeralit, bëri atë që mund të quhet, sipas postulatit hegeliano-marksist, si ngjarja e madhe që përsëritet si farsë. Ditën e funeralit të Stalinit në Moskë, në Tiranë u mbajt një miting i madh në Sheshin «Skënderbej», në formën e një ceremonie funebër, me rastin e vdekjes së Stalinit. Në këtë surrogat-funeral, Hoxha kopjoi Stalinin në fjalimin e tij të famshëm pas vdekjes së Leninit. Hoxha, në fjalimin e vet, mbajtur me statujën e Stalinit në sfond, në vendin ku sot është Monumenti i Skënderbeut, me një patetikë prej Tarasi-Herman, në fillim iu drejtua pojve sovjetikë:
       Të dashur popuj vëllezër të Bashkimit Sovjetik.[clxxxix]
      Kjo ishte gjuha e kolaboracionistit sovjetik, të zellshëm deri në parodi. Në fjalimin e vet, Hoxha i dha Stalinit merita të cilat ai nuk i kishte pretenduar as vetë:
       Ju dhe ne, na ka mbuluar sot një fatkeqësi e madhe: udhëheqësi, mësuesi ynë i shtrenjtë, J. V. Stalini mbylli sytë përgjithmonë. Pushoi së menduari mendja e gjeniut më të madh dhe më të ndritur të kohërave tona, e arkitektit të lavdishëm të socializmit dhe të komunizmit, e krijuesit dhe e farkëtuesit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të shtetit sovjetik që është fitorja më e madhe e njerëzimit.[cxc]
      Edhe vetë Stalini kishte thënë se krijues dhe farkëtues i partisë dhe i shtetit sovjetik kishte qenë Lenini, ndërsa Stalini kishte qenë vetëm nxënësi besnik i tij. Në fjalimin e vet Hoxha tha nëntë herë:
       Ne betohemi përpara shokut Stalin…[cxci]
      Stalini, në fjalimin e vet pas vdekjes së Leninit, kishte thënë vetëm gjashtë here:
      Ne betohemi shoku Lenin…[cxcii]
      Betimi i parë i Hoxhës ishte:
       betohemi sot përpara shokut Stalin se do t’ i qëndrojmë besnikë çështjes së madhe të Leninit dhe të Stalinit.[cxciii]
      Stalini, në fjalimin e vet pas vdekjes së Leninit, duke e detyruar partinë që t’ i betohej për besnikëri Leninit, e detyroi që praktikisht t’ i betohej për besnikëri atij vetë Stalinit, i cili po dilte si interpret i Leninit. Ngjashmërisht, në Shqipëri, betimi, për shqiptarët do të thoshte që t’ i qëndronin besnikë Hoxhës, si interpretuesi i Stalinit. Betimi i dytë i Hoxhës ishte:
       Ne betohemi përpara shokut Stalin se do të ngremë lart zemrat tona dhe do të sulmojmë me vrull përpara për të korrur fitore të reja, se do të jemi të vendosur në rrugën që na ka treguar, se do të ndjekim me besnikërinë më të madhe mësimet e tij shpëtimtare.[cxciv]
      Në Shqipëri kjo do të thoshte se të gjithë duhet të shkonin pas Hoxhës dhe të ndiqnin mësimet e tij. Betimi i katërt ishte:
       Ne betohemi përpara shokut Stalin se do ta forcojmë Partinë tonë heroike të Punës së Shqipërisë, e cila na udhëhoqi në fitoren e lavdishme të Luftës Nacional-çlirimtare dhe na udhëheq me sukses në rrugën e socializmit. Ne do ta ruajmë si sytë e ballit unitetin e Partisë, dhe do t’ i mbajmë radhët e saj të pastra, duke goditur me ashpërsinë më të madhe çdo armik të jashtëm dhe të brendshëm që do të guxojë të prekë këtë unitet.[cxcv]
      Me këtë Hoxha kopjoi thuajse literalisht një nga betimet e Stalinit në fjalimin e vet pas vdekjes së Leninit. Fjalët e Hoxhës do të thoshin praktikisht që të kishte unitet rreth Hoxhës dhe luftë ndaj atyre që ai i quante armiq. Betimi i gjashtë ishte ogurzi kur i bëhej Stalinit të vdekur:
       Ne betohemi përpara shokut Stalin, se do ta forcojmë Ushtrinë tonë heroike Popullore dhe Armën e Sigurimit të Shtetit dhe do ta mprehim në kulm vigjilencën revolucionare për të bërë që të dështojnë të gjitha planet e atyre që ëndërrojnë të dëmtojnë atdheun tonë socialist.[cxcvi]
      Kjo paralajmëronte spastrime të mëdha, deri edhe ndaj ushtrisë dhe në fund edhe ndaj vetë Sigurimit të Shtetit, që do të përdorej për t’ i kryer ato. Dhe Hoxha e mbajti këtë betim. Betimi i tetë ishte:
       Ne betohemi përpara shokut Stalin se me të gjitha forcat tona do të luftojmë për mbrojtjen e paqes në botë kundër luftënxitësve imperialistë amerikano-anglezë dhe shërbëtorëve të tyre.[cxcvii]
      Edhe këtë betim Hoxha e mbajti deri në fund të jetës. Betimi i nëntë dhe i fundit, ku Hoxha u kërkoi të pranishmëve që të gjunjëzoheshin ishte:
       I gjithë populli shqiptar, si një trup i vetëm, betohet sot solemnisht përpara shokut të madh Stalin.[cxcviii]
      Hoxha, duke i detyruar komunistët dhe popullin shqiptar të gjunjëzohen në ceremoninë mortore për Stalinin, në Tiranë, në fakt i detyroi të gjunjëzoheshin para atij vetë, Hoxhës, i cili ishte mëkëmbës i Stalinit në Shqipëri. Duke qenë se e gjithë kjo ndodhte para monumentit të Stalinit, gjithçka kishte pamjen e ritualeve pagane në sheshet-tempuj të mbretërve-zota. Stalini ishte pikërisht mbreti-zot i cili bëhej i pavdekshëm dhe kujdesej përjetësisht për popullin e vet. Hoxha u shpreh për Stalinin në terma të transhendencës materialiste komuniste:
       Për ne Stalini nuk ka vdekur, nuk mund të vdesë kurrë. Ai rron dhe do të rrojë në shekuj.[cxcix]
      Ashtu si në fjalimin e Stalinit pas vdekjes së Leninit, kemi konsakrimin e Stalinit si sundimtar-pasardhës i Leninit, sipas versionit komunist të së drejtës hyjnore të mbretërve, kështu, në 10 mars 1953, kemi konsakrimin e Hoxhës si diktator i hyjnizuar. Francois Furet shkruan për performancën e Stalinit në fjalimin e tij pas vdekjes së Leninit:
       Ish-seminaristi gjeorgjian ngrihet në lartësinë e rastit duke veshur trashëgiminë leniniste me gjuhën liturgjike të nxjerrë nga adoleshenca e vet. Me këtë ai e bën më të shenjtë e më të ngurtë, pa i lënë mundësi historianit të mund të përcaktojë dozën e sigurisë së brendshme dhe atë të cinizmit manipulues. Në gjirin e kësaj aristokracie të ngushtë të përbërë nga militantët e partisë ai flet si një prift priftrinjve të tjerë, duke e ngritur krenarinë e kastës në ndarjen e një premtimi. Iku koha e debateve mbi tekstet e Marx-it, e debateve doktrinore mbi marrëdhëniet e Partisë me klasën punëtore. Partia është tashmë një trup klerik i mbledhur rreth kishës së tij, pra i njëzëshëm si dhe ajo vetë. Me ndikimin e një gjuhe të marrë hua nga një botë pararendëse e politikës moderne, Stalini dëshiron gjithashtu t’ i bëjë të ditur Trocki-t, Zinoviev-it dhe gjithë të tjerëve se bashkimi i partisë është rregulli i lojës; dhe që ai është roja dhe arbitri i vetëm.[cc]
      Komunizmi vërtetoi edhe njëherë ligjin e lidhjes së pushtetit absolut me hyjnizimin e pushtetmbajtësit, çka ishte verifikuar që në Antikitet, dhe që mund të ndiqet e dokumentuar më së miri si një proces, në Romën antike, kur u bë kapërcimi nga republika tek perandoria. Një post që bart pushtet absolut, imponon hyjnizimin e pushtetmbajtësit, për t’ u mbajtur dhe ushtruar. George Orwell shkruan:
       Një shtet totalitar është në fakt një teokraci, dhe kasta e saj drejtuese, nëse duhet të qëndrojë aty ku është duhet të konsiderohet si e pagabueshme.[cci]
      Idolizimi i diktatorëve komunistë shpesh është krahasuar me atë të faraonëve. Në fakt, kemi të bëjmë me dy gjëra të ndryshme në thelb, edhe pse në një sens të përafërta në dukje. Faraoni, në pozitën e vet të pushtetmbajtësit sovran, ndjente sigurinë më të madhe pikërisht nga origjina e vet hyjnore dhe pastaj nga pushteti efektiv që zotëronte. Përndryshe diktatori komunist, duke qenë një njeri i thjeshtë, në sensin që kishte qenë larg pushtetit, por që befas fitonte një pushtet absolut, kishte prirjen të dyshonte se gjithçka kishte fituar mund ta humbte edhe më befasisht se ç’ e fitoi. Në të vërtetë paranoja ishte racionaliteti i kësaj pozite dhe në gjuhën komuniste kjo quhej vigjilencë. Udhëheqësi suprem bënte thirrje për vigjilencë dhe vigjilonte nga ana e vet për të mbrojtur vetveten. Njëri duhet të vigjilonte të gjithë dhe duhej të ndihej i vigjëluar nga të gjithë. Diktatori komunist e ngrinte kultin e vetvetes pikërisht ngaqë nuk ndihej i sigurt në pozitën e vet në krye të pushtetit. Duke i atribuar vetvetes cilësi praktikisht mbinatyrore, ai fitonte sigurinë që i mungonte. Atij i dukej se nëse nuk diferencohej nga vdektarët e thjeshtë, bashkëpunëtorët e tij të afërt do të josheshin për ta rrëzuar nga pushteti. Prej këtej shqetësimi që i vinte atij prej bashkëpunëtorëve të tij të cilët nuk e kishin njohur si sundimtar, por si një njeri të thjeshtë, i cili ende nuk zotëronte pushtetin. Këta njerëz duheshin eliminuar, dhe zëvendësuar me njerëz që e kishin njohur atë vetëm me aureolën e sundimtarit.
      Hoxha kopjoi nga fjalimi i famshëm i Stalinit jo vetëm betimet, por edhe formulën kryesore të Stalinit. Stalini tha në fjalimin e vet pas vdekjes së Leninit:
       Vëndi ynë qëndron si një shkëmb gjigant, i rrethuar nga oqeani i shtetevet borgjeze. Dallgë pas dallgësh përplasen mbi të, duke e kërcënuar ta mbysin dhe ta gërryejnë. Po shkëmbi gjithnjë qëndron i patundur.[ccii]
      Hoxha tha fjalimin e vet në surrogat-funeralin e Stalinit, në Tiranë:
       Ne do ta ruajmë atdheun tonë që është një vatër paqeje dhe një shkëmb graniti i pazaptueshëm e i pathyeshëm dhe ku do të thyejnë me siguri kokën të gjithë ata armiq të socializmit dhe të paqes që do të guxojnë ta prekin.[cciii]
      Në 1924, vizioni i Stalinit për vendin-shkëmb, vendin e vetëm socialist, ishte thjesht konvenienca e tij, për të siguruar në planin e jashtëm sundimin e vendit të cilin ai tashmë e kishte siguruar praktikisht brenda. E njëjta gjë vlente dhe për Hoxhën në 1953. Shqipëria-shkëmb ishte Shqipëria e sunduar prej tij. Sa kohë që sundimi i tij ishte i garantuar, atij aq i bënte se Shqipëria ishte e izoluar, e mbetur pa ndihma të huaja për të cilat kishte aq shumë nevojë.
      Ka një koincidencë të çuditshme. Rivali kryesor i Stalinit, Trocki mungon në funeralin e Leninit, në 1924, dhe po ashtu, Shehu, rivali kryesor i Hoxhës mungon në ceremoninë mortore që u bë në Tiranë, me rastin e vdekjes së Stalinit. Të dy munguan për shkak sëmundjeje. Shehu për një operacion apandeciti.
      Të nesërmen e vdekjes së Stalinit Hoxha hoqi uniformën ushtarake, duke iu përshtatur modës së pasuesve të Stalinit në Kremlin, që visheshin civilë. Kjo ishte tradhtia e parë që E. Hoxha i bëri Stalinit. Hoxha, sa ishte gjallë Stalini imitoi në veshje këtë të fundit, i cili vishej shumë thjesht, pothuajse gjithmonë me uniformë, madje duke i ndërruar shumë rrallë uniformat, duke qenë garderoba e tij për dekada, shumë e varfër, me dy-tre palë pantallona dhe kapotën e vjetër të kohës së luftës civile, të cilën e mbajti për shumë vite më pas. Që nga nëntori i vitit 1944 deri në mars 1953, vetëm në një rast shihet Hoxha i veshur civil dhe me kapelë republikë, në 1946, kur shkoi në Konferencën e Paqes në Paris. Por Hoxha, pas vdekjes së Stalinit, filloi të vishte kostume elegante, këpucë elegante, të cilët i ndërronte shumë shpesh, duke treguar një dobësi “borgjeze”.
      Për Hoxhën heqja dorë nga uniformë ushtarake ishte shumë më tepër se një ndryshim veshjeje. Kjo në fakt ishte një bjerrje autoriteti se në vende si Shqipëria uniforma ushtarake dhe titulli ushtarak potenconin autoritetitn e udhëheqësit. Kështu ishte dhe në Jugosllavi ku Tito deri në vdekje do të quhej mareshall dhe do të shfaqej në publik më tepër me uniformë ushtarake se me veshje civile. Kur Hoxha hoqi uniformën ushtarake u ndalua që të përdorej dhe titulli «Komandant» me të cilin thirrej deri atëherë, dhe ai filloi të quhej thjesht shoku Enver. Edhe kjo bëhej sipas modës së re të udhëheqjes sovjetike ku nuk përdorej më titulli ushtarak, si në rastin e Stalinit. Por profili i Hoxhës si udhëheqës ishte krijuar në mënyrën që posti i Sekretarit të Përgjithshëm ishte parë i lidhur me atë të kryeministrit dhe të dy së bashku sublimoheshin në titullin e Komandantit, që prodhonte dukjen staliniane të Hoxhës si udhëheqësi i veshur ushtarak me granduniformë.
      Nuk ishte njëlloj si «Komandanti» dhe «shoku Enver». Shokë kishte shumë, ishte shoku Mehmet, shoku Gogo, shoku Hysni, shoku Spiro, shoku Omer etj., por vetëm një ishte shoku Komandant. Fjala «Komandant» nuk ishte thjesht një titull ushtarak, ajo nënkuptonte se Hoxha ishte Komandanti jo vetëm i ushtrisë, por edhe i partisë, shtetit, i gjithë vendit. Komandanti ishte një njeri para të cilit të gjithë qenë ushtarë, ndërsa shoku Enver qe diçka tjetër. Komandanti me granduniformë, me kapele të zbukuruar me një degë dafine, me cizme të lustruara ishte një njeri që kishte hije të rëndë. Uniforma fshihte shumë nga mangësitë e tij, deri edhe fizionominë më tepër femërore se burrërore, dhe që ishte një mangësi për një udhëheqës komunist, nuk binte dhe aq në sy kur fytyra e tij ishte nën hijen e kapelës ushtarake. Shoku Enver, me kostum civil ishte diçka krejt tjetër. Është jashtë çdo dyshimi që Hoxha pëlqente më tepër që të vishej me rrobe civile. Ai e veshi për herë të parë uniformën ushtarake në vitin 1943, në moshën 35 vjeç, dhe e mbajti për dhjetë vjet, gjatë të cilave ajo ishte për të aq e rëndë sa armatura metalike për një mbret mesjetar gjatë kohës që nuk është në luftë. Megjithatë kur Hoxha e hoqi uniformën ushtarake ai u ndje sikur dilte lakuriq, se e kuptonte se me këtë kishte ikur dhe një pjesë e mirë e autoritetit të tij. Hoxha i veshur civil në vitet e para është më pak i qeshur se Hoxha i veshur ushtarak. Duket se me pamjen serioze ai kërkon të kompensojë bjerrjen e autoritetit. 


[i] Enver Hoxha: «Me Stalinin», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, f. 86       
[ii] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 202- 203
[iii] po atje: f. 205
[iv]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 155
[v] po atje: f. 358
[vi]po atje: f. 358
[vii] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 211-212
[viii]po atje: f. 213
[ix]po atje: f. 210
[x] po atje: f. 203-204
[xi] po atje: f. 220-221
[xii] Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 14, Viti 1957, lista 1, dosja 24.
[xiii]National Archives Records Administration, Box 46, 875. 00/9- 1249
[xiv] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 222- 223
[xv] National Archives Records Administration, Box 46, 875. 00/9- 1249
[xvi] «Konferenca II Nacionale e PPSH», Botim i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 23-24
[xvii] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 201
[xviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 7, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 400
[xix] po atje: f. 364
[xx] «Kalendar ushtarak», Botim i Degës së Historisë Ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, Tiranë 1950, f. 93
[xxi] po atje: f. 111
[xxii]po atje: f. 223
[xxiii] po atje: f. 240
[xxiv]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1955, lista 1, Dosja 24
[xxv] Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 87
[xxvi]po atje: f. 88
[xxvii]po atje: f. 359
[xxviii]po atje: f. 157
[xxix]po atje: f. 128-129
[xxx] po atje: f. 360
[xxxi]po atje: f. 361
[xxxii]po atje: f. 460- 461
[xxxiii]po atje: f. 461
[xxxiv]Enver Hoxha: «Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin II të PPSH», Botim i Komitetit Qëndror të PPSH, Tiranë 1952, f. 42
[xxxv]po atje: f. 42
[xxxvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 95
[xxxvii] Enver Hoxha: Vepra, vol 7, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 274
[xxxviii]Enver Hoxha: «Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin II të PPSH», Botim i Komitetit Qëndror të PPSH, Tiranë 1952, f. 19
[xxxix]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 205
[xl]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 168-169
[xli] po atje: f. 169
[xlii]po atje: f. 170
[xliii]po atje: f. 171
[xliv]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, Tiranë 1995, f. 545
[xlv] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 229
[xlvi]po atje: f. 277
[xlvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 217
[xlviii]po atje: f. 222
[xlix]po atje: f. 228
[l] po atje: f. 228-229
[li] po atje: f. 228-229
[lii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i Partisë, viti 1949, dosja 28, fleta 1
[liii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14iArkivi i Partisë, viti 1949, dosja 56, fleta 26
[liv]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i Partisë, viti 1949, dosja 703, fleta 22
[lv] «Historia e Shqipërisë», Akademia e Shkencave e RPSSH, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1983, Vol. IV, f. 136-137
[lvi] Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 242
[lvii] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 307
[lviii]po atje: f. 252
[lix]po atje: f. 259
[lx]Gazeta «Zëri i Popullit», 24 nëntor 1949, f. 1
[lxi] Gazeta «Rinia», 28 nëntor 1949, f. 1
[lxii]Enver Hoxha: «Me Stalinin», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, f. 185
[lxiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 270-271
[lxiv]po atje: f. 280
[lxv] po atje: f. 287
[lxvi]Enver Hoxha: «Me Stalinin», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, f. 149
[lxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 10, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 331-332
[lxviii]Enver Hoxha: «Me Stalinin», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, f. 208
[lxix]Enver Hoxha: «Raporte e fjalime: 1978-1979», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1981, f. 362-363
[lxx]«Raportet dhe Rezolutat e Konferencës së Byrosë Informative të Partive Komuniste dhe Punëtore: nëntor 1949», Botim i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1949, f. 3
[lxxi]po atje: f. 103
[lxxii] po atje: f. 123
[lxxiii] po atje: f. 129  
[lxxiv]Enver Hoxha: Vepra, vol 6, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 417
[lxxv]po atje: f. 446
[lxxvi] po atje: f. 457  
[lxxvii]po atje: f. 415
[lxxviii]po atje: f. 416
[lxxix]Enver Hoxha: Vepra, vol 7, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 29
[lxxx]po atje: f. 29
[lxxxi]po atje: f. 32
[lxxxii]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 193-194
[lxxxiii] «Konferenca II Nacionale e PPSH», Botim i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 103
[lxxxiv] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 195
[lxxxv]Enver Hoxha: Vepra, vol 7, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 54-55
[lxxxvi]po atje: f. 55
[lxxxvii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i PPSH, viti 1950, dosja 13/2, fleta 47
[lxxxviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 7, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 33
[lxxxix]po atje: f. 44-45
[xc] po atje: f. 33-34
[xci] po atje: f. 37
[xcii]po atje: f. 44
[xciii]po atje: f. 46
[xciv]po atje: f. 47
[xcv] po atje: f. 78
[xcvi]«Konferenca II Nacionale e PPSH», Botim i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 88
[xcvii]po atje: f. 88-89
[xcviii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 331
[xcix] «Konferenca II Nacionale e PPSH», Botim i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 37
[c] po atje: f. 37
[ci] po atje: f. 92
[cii] po atje: f. 94
[ciii] po atje: f. 97
[civ] po atje: f. 101
[cv] po atje: f. 99
[cvi] po atje: f. 105 
[cvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 7, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 89
[cviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 8, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 150
[cix] «Konferenca II Nacionale e PPSH», Botim i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 90
[cx] «Kujtime për Enverin», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1988, Vol 1, f. 14
[cxi]Enver Hoxha: Vepra, vol 7, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 347
[cxii]Gazeta «Bashkimi», 5 korrik 1950, f. 1
[cxiii]Gazeta Zyrtare, 14 gusht 1950, f. 6
[cxiv]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/1 Arkivi i PPSH, Viti 1951, dosja 15
[cxv] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 282
[cxvi]po atje: f. 282
[cxvii]po atje: f. 283
[cxviii]po atje: f. 291-292
[cxix]po atje: f. 283
[cxx] po atje: f. 293
[cxxi]po atje: f. 294
[cxxii]po atje: f. 294-295
[cxxiii]po atje: f. 296
[cxxiv]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i Partisë, viti 1951, dosja 12, fleta 2
[cxxv] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 308
[cxxvi]po atje: f. 364
[cxxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 8, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 142
[cxxviii]po atje: f. 146
[cxxix]po atje: f. 159
[cxxx]po atje: f. 159
[cxxxi]po atje: f. 108-109
[cxxxii]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 357
[cxxxiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 8, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 162
[cxxxiv]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i Partisë, viti 1952, dosja 2, fleta 19
[cxxxv]Enver Hoxha: «Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin II të PPSH», Botim i Komitetit Qëndror të PPSH, Tiranë 1952, f. 66
[cxxxvi]Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, F.H-Gj, D. 6450
[cxxxvii]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 319
[cxxxviii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 125
[cxxxix]po atje: f. 159
[cxl] Enver Hoxha: «Me Stalinin», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, f. 203
[cxli]«PPSH: Dokumenta kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol 2, f. 208
[cxlii]Enver Hoxha: Vepra, vol 8, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1971, f. 200
[cxliii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/1 Arkivi i PPSH, Viti 1951, dosja 15
[cxliv] Enver Hoxha: «Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin II të PPSH», Botim i Komitetit Qëndror të PPSH, Tiranë 1952, f. 52
[cxlv] po atje: f. 52
[cxlvi] po atje: f. 36
[cxlvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 9, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 63
[cxlviii]po atje: f. 117
[cxlix]Enver Hoxha: Vepra, vol 10, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 187
[cl] po atje: f. 418
[cli]Agim Mero: «Ëndrra dhe zhgënjime», Shtëpia botuese «Fan Noli», Tiranë 2008, f. 9
[clii]«PPSH: Dokumente kryesore», Instituti i Historisë së Partisë pranë KQ të PPSH, Tiranë 1960, Vol. 1, f. 415
[cliii]Enver Hoxha: «Raport mbi aktivitetin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë mbajtur në Kongresin II të PPSH», Botim i Komitetit Qëndror të PPSH, Tiranë 1952, f. 67
[cliv] po atje: f. 6
[clv] po atje: f. 23
[clvi] po atje: f. 15
[clvii] po atje: f. 33
[clviii] po atje: f. 73
[clix] po atje: f. 73
[clx] po atje: f. 73
[clxi] po atje: f. 85
[clxii] po atje: f. 36
[clxiii] po atje: f. 21
[clxiv] «Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 352
[clxv]po atje: f. 354
[clxvi] Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i Partisë, viti 1952, dosja 33, fleta 19
[clxvii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i Partisë, viti 1952, dosja 33, fleta 18-19
[clxviii]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 356
[clxix]po atje: f. 357
[clxx]po atje: f. 356
[clxxi]Enver Hoxha: Vepra, vol 17, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1974, f.  536
[clxxii]po atje: f. 536
[clxxiii]«Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse», dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet «Toena», Tiranë 2006, f. 358
[clxxiv]po atje: f. 360
[clxxv]po atje: f. 361
[clxxvi]po atje: f. 362
[clxxvii]po atje: f. 360
[clxxviii]«Historia e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik», Botim i Instutit të Partisë pranë KQ të PPSH, Tiranë 1959, f. 691
[clxxix]Enver Hoxha: «Me Stalinin», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, f. 212
[clxxx]Enver Hoxha: Vepra, vol 10, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 142
[clxxxi]po atje: f. 139
[clxxxii] po atje: f. 146
[clxxxiii]«PPSH: Dokumente Kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol 2, f. 346
[clxxxiv]po atje: f. 346
[clxxxv]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1955, Dosja 1124, fleta 126
[clxxxvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 10, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 255
[clxxxvii]po atje: f. 258
[clxxxviii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 143
[clxxxix]Enver Hoxha: Vepra, vol 10, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1972, f. 262
[cxc] po atje: f. 262-263
[cxci]po atje: f. 262-266
[cxcii]J. V. Stalin: Veprat, Botim nga Tipografija ushtarake, Tiranë 1952, Vol 6, f. 47-53
[cxciii]Enver Hoxha: Vepra, vol 10, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 262
[cxciv]po atje: f. 264
[cxcv]po atje: f. 264-265
[cxcvi]po atje: f. 266
[cxcvii]po atje: f. 266
[cxcviii]po atje: f. 267
[cxcix] po atje: f.
[cc]Francois Furet: «E shkuara e një iluzioni: Ese mbi idenë komuniste në shekullin XX», Shtëpia botuese «Dukagjini», Pejë 2003, f. 141
[cci] George Orwell: «The prevention of Literature: shooting an elefant and other essays», «Harcourt Brace and Company», New York1950, p. 209
[ccii]J. V. Stalin: Veprat, Botim nga Tipografija ushtarake, Tiranë 1952, Vol. 6, f. 51
[cciii]Enver Hoxha: Vepra, vol 10, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 266