PJESA E GJASHTË - HRUSHOVIANI ANTISTALINIST




1.
«-Nu, tovarish Enver- tha- ju po na e paraqitni situatën në Shqipëri të mirë, por faktet nuk janë kështu».

      Ballafaqimi i parë i Enver Hoxhës me udhëheqjen e re sovjetike do të vinte në qershor 1953. Ai shkruan në kujtimet:
       Disa muaj pas vdekjes së Stalinit shkova në Moskë në krye të një delegacioni partie e qeverie për kërkesën e një kredie ekonomike e ushtarake. Ishte koha kur dukej se Malenkovi ishte udhëheqësi kryesor. Ai ishte kryetar i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik.[i]
      Kjo ndodhi në qershor 1953, çka kuptohet edhe nga fakti se në takim ishte i pranishëm edhe Beria, gjë që e thotë Hoxha më tutje. Beria do të eliminohej në fund të qershorit. Hoxha në takimin me Malenkovin po bënte performancën e zakonshme liturgjike staliniane, kur u befasua nga një ndërhyrje e Malenkovit, që ishte shenjë e kursit të ri që kishte nisur në Bashkimin Sovjetik me vdekjen e Stalinit, dhe që do të bëhej i njohur si «socializmi me fytyrë njerëzore». Hoxha e tregon kështu këtë episod:
       Për gjendjen socialekonomike në Shqipëri, për mobilizimin e paparë të masave punonjëse, të komunistëve e të kuadrove në punë, nuk kisha folur veçse disa minuta, kur Malenkovi më ndërpreu:
    -Nu, tovarish Enver- tha- ju po na e paraqitni situatën në Shqipëri të mirë, por faktet nuk janë kështu. Prandaj dëgjoni konstatimet tona.
    Dhe derdhën një qerre me vërejtje mbi gjendjen e punët tona. Se nga i kishin ata këto «të dhëna», ne nuk e dimë, por fakt është se ekzagjerimet dhe trashjet e gjërave qenë aq të mëdha, sa të çuditnin. Sidomos dy «vërejtje» të tyre më janë ngulitur në mendje.
    E para qe për aparatet tona shtetërore.
    -Aparati juaj- paskësh «konstatuar» udhëheqja sovjetike- është aq i gjerë e i fryrë sa as Rokfeleri dhe Morgani nuk do të guxojnë ta mbajnë![ii]
      Në fakt, që Malenkovi thoshte të vërtetën këtë gjë do ta pohonte vetë Hoxha në në Plenumin IX të Komitetit Qendror, në 24 dhjetor 1953, kur tha:
       Aparati ynë shtetëror ishte rritur së tepërmi dhe numri i nëpunësve arrinte në 40 454, përveç ushtrisë, Ministrisë së Brendshme dhe arsimtarëve. Me një rritje të tillë të aparatit administrativ ishte krijuar një disproporcion i madh në mes të njerëzve të prodhimit dhe personelit administrative. Ky proporcion arrinte: 1 nëpunës për çdo 2.42 punëtorë ose 1 nëpunës për çdo 30 qytetarë të Republikës. Një aparat i tillë i fryrë rëndonte jashtëzakonisht buxhetin e shtetit, e dëmtonte ekonominë popullore në mbajtjen e këtij personeli joprodhues me triskat që merrnin si dhe duke i larguar këta nga prodhimi drejt administratës. Barra e rëndë e aparatit shtetëror shkaktonte një pakënaqësi qoftë edhe të heshtur në fshatarësinë dhe punëtorët. Zgjerimi i madh i aparatit shtetëror i kishte lënë shteg burokracisë, konfuzionit, abuzimeve, sabotimit.[iii]
      Në të njëjtin plenum Hoxha do të thoshte:
       Barra e rëndë e aparatit shtetëror shkaktonte një pakënaqësi qoftë edhe të heshtur në fshatarësinë dhe punëtorët. Zgjerimi i madh i aparatit shtetëror i kishte lënë shteg burokracisë, konfuzionit, abuzimeve, sabotimit.[iv]
      Pra një burokraci e fryrë ushqehej si kancer nga një popull i varfër fshatar. Hoxha pohonte kështu se kishte bërë pikërisht një shtet memurësh, të pa parë as në ditët më të mira të lulëzimit të administratës së fryrë osmane, gjë që  disa vite më parë kishte premtuar se nuk do të ndodhte. Që para plenumit, pas kthimit të Hoxhës nga Moska u bënë shkurtime në administratën e regjimit, për të cilat Hoxha do të thoshte në Plenumin IX, në dhjetor 1953:
       Organikat e aparatit të Komitetit Qendror u shkurtuan në 41.2%, të komiteteve të Partisë në rrethe 32% dhe të organizatave të masave 13.5%.[v]
      Plenumi, në rezolucionin e vet vendosi që të bëheshin dhe shkurtime të tjera:
       Riorganizimi dhe shkurtimi i organikave rreth 30 për qind në aparatin shtetëror dhe të Partisë.[vi]
      Vërejtja e dytë që Malenkovi i bëri Hoxhës, ishte kjo sipas asaj që shkruan ky në kujtimet e veta:
       Dhe menjëherë pasi na bënë Rokfelerë e Morganë, me vërejtjen e dytë na çuan në ekstremin tjetër:
    -Fshatarët tuaj nuk kanë as bukën e gojës, ata s’ kanë asnjë pulë (ata e dinë se nga i kishin numëruar pulat e Shqipërisë!) pa lëre sendet e tjera të nevojave të para.
    Edhe Rokfelerë, edhe kripë në diell! Si ta kuptoja këtë logjikë?[vii]
      Shpjegimin më të mirë për këtë logjikë gjendet në rezolutën e Plenumit VIII të Komitetit Qendror, në dhjetor 1953, ku thuhet se për të lehtësuar gjendjen e fshatarëve do të merreshin këto masa:
        Falja e detyrimeve të prapambetura për prodhimet bujqësore e blegtorale.
Zbritja e koeficienteve të detyrimeve në natyrë për prodhimet bujqësore e blegtorale.
Falja e tatimit financiar të prapambetur ekonomive bujqësore që shlyejnë në kohë tatimin e ekonomisë bujqësore të vitit 1953.[viii]
      Fshatarët kështu morën pak frymë. Por gjithçka kishte hyrë në një rreth vicioz. Meqënëse ishte ndaluar tregu i lirë, atëherë këto masa rrezikonin të sillnin krizën ushqimore në qytete dhe në ushtri. Zgjidhja u gjet me përshpejtimin e kolektivizimit të bujqësisë. Që Malenkovi e njihte gjendjen e fshtarësisë shqiptare më mirë se Hoxha, kjo kuptohet nga biseda që Hoxha bën me një fshatar pas kthimit nga Moska. Meqënëse udhëheqësit e rinj sovjetikë Malenkov dhe Hrushov kishin filluar të bënin në zyrat e tyre takime personale me përfaqësues të masave punonjëse, një risi kjo në krahsim me stilin e Stalinit, Hoxha bën në Tiranë një takim me sekretarin e organizatës-bazë të partisë të fshatit Mazrrek të Vlorës. Midis tyre zhvillohet kjo bisedë:
       Shoku Enver: Si mendon, i mban dot fshatari këto detyrime, janë të rënda?
Sekretari: Jo nuk janë të rënda.
Shoku Enver: Sa përqind e prodhimit të merret ty për shembull?
Sekretari: Të them të drejtën nuk mbaj hesap sa prodhoj, po toka ime është e klasit të tretë dhe mbjell grurë e misër. Unë di vetëm këtë që kam plotësuar planin dhe blej tre muaj bukë…
Shoku Enver: D.m.th. sa i ke dhënë shtetit nga ato që ke korrur?
Sekretari: Kam 10 dynymë tokë, nga këto shtetit i paguaj 85 kg grurë, 40 kg tagji dhe 20 kg misër. Unë kam dy fëmijë edhe gruan dhe ha 80 kg. misër në muaj.
Shoku Enver: Si të konsiderojnë ty në fshat?
Sekretari: Fshatar të varfër.[ix]
      Edhe pse ky fshatar, pasi dorëzonte detyrimet në drithë i mungonte buka për tre muaj, ai nuk i quante detyrimet të rënda! Nuk merret vesh se sa muaj duhet të mbetej ai pa bukë, që t’ i quante detyrimet të rënda, gjashtë muaj, apo nëntë muaj! Këtij fshtari-sekretar partie i fshatit, nuk i dukej gjë e rëndë që të mbetej tre muaj pa bukë pasi paguante detyrimet, se një sekretar partie përfitonte me njëqind e një mënyra të tjera, pasi luante rolin e fshatarit të varfër që dorëzonte në rregull detyrimet. Hoxhës nuk iu duk aspak se kishte diçka që nuk shkonte tek ato që thoshte fshtari-sekretar partie. Në fakt Hoxha ishte duke bërë dialog me vetveten, me një krijesë të propagandës së vet. Ky është një dialog i denjë për një lider me natyrë komediani si Hoxha.
      Më tutje Hoxha e pyet fshatarin-sekretar:
       Shoku Enver: Pome bagëti, si janë fshatarët?
Sekretari: Kanë bagëti, po jo shumë. Shtëpia më e mirë që ne e quajmë të mesëm mund të ketë deri në 20 krerë dele. Unë për vete kam 5 dele, një ka dhe asgjë tjetër.[x]
      Kur kjo ndodhte në fshatrat e Vlorës që e kishin traditë mbajtjen e bagëtisë në sasi të mëdha, njeriu duhet të shqetësohej dhe të pyeste pse ndodhte kështu. Por Hoxha nuk pyet. Sistemi i detyrimeve ishte i tillë që u hiqte dëshirën fshatarëve për të shtuar bagëtinë. Nëse fshatari nuk arrinte dot që të plotësonte detyrimet në drithra, grumbulluesit i merrnin si kompensim bagëti. Në bisedën me fshatarin-sekretar, Hoxha vazhdoi të zbulonte se sa saktë e njihte Malenkovi gjendjen në Shqipëri:
       Shoku Enver: Ç’ ha fshatarësia? Hani mish ju?
Sekretari: Hamë rrallë në ndonjë bajram apo në ndonjë festë tjetër therrim ndonjë bagëti.[xi]
      Fshatarët e Vlorës, të cilët e kishin pasur mishin ushqimin kryesor, tash, pas 9 vjetësh të regjimit komunist, hanin mish një ose dy herë në vit! Vazhdimi i bisedës është shumë instruktiv për nivelin e jetesës së fshtarësisë në atë kohë:
       Shoku Enver: Potjetër ç’ hani ju?
Sekretari: Ndonjë pras, kungull, ndonjë lugë qumësht në një tas.[xii]
      Fshatarësia shqiptare nuk qe ushqyer kurrë kaq keq, në kohën e atyre që regjimi komunist i quante regjime antipopullore, se nuk mund të imagjinohet se si mund të ushqehej më keq se kaq. Hoxha i përshkroi fshatarit-sekretar një tablo utopike se si duhej të ushqehej fshatari shqiptar:
       Shoku Enver: Puna është të kesh të hash një pulë në javë hëpërhë, pastaj të arrish të hash në tri ditë një herë; të kesh të hash çdo ditë me gjithë kalamanët nga një përshesh të mirë me qumësht ose me kos. Këto nuk janë ëndrra po duhet t’ i bëjmë. Të kesh dhe të hash djathë, të vesh turshi për dimër, të vesh një kusi me fasule, të vesh një derr dhe ta bësh pastërma. Juve nuk ju del kështu se edhe pulën që bën ti e dërgon në pazar të blesh diçka tjetër.[xiii]
      Në fakt atë lloj ushqimi që përshkruan Hoxha fshatari shqiptar nuk do ta kishte kurrë gjatë sundimit të tij. Në fund të bisedës Hoxha dhe fshatari-sekretar kanë këtë dialog:
       Shoku Enver: Kështu janë edhe në fshatrat e tjera si ju?
Sekretari: Kështu është gjendja.[xiv]
      E pastaj Hoxha habitet me ato që i thanë sovjetikët mbi gjendjen e mjeruar të fshatarit shqiptar. Një tablo të gjendjes së mjeruar të fshatarësisë do ta bënte vetë Hoxha duke folur në Plenumin X të Komitetit Qendror, në prill 1954, ku tha:
       Të marrim çështjen e blegtorisë. Ajo ka rrënë vazhdimisht për dy arsye kryesore: për mungesë ushqimi dhe për strehime jo të përshtatshme bagëtish. Ne kemi folur dhe kemi dhënë shumë këshilla, ne kemi vendosur dhe një plan të mirë të zhvillimit të blegtorisë. Por ky zhvillim i blegtorisë është lënë në fatin e vet. Jo vetëm që nuk i kemi siguruar konditat për zbatimin e atij plani që kemi vendosur por nga ana tjetër e kemi penguar me planet e tjera. Jo vetëm blegtorisë që nuk i kemi siguruar ushqim, por i kemi pakësuar kullotat dhe vazhdojmë t’ ia pakësojmë. Poflasim për bimë shumëvjeçare por ato nuk mbillen: jo s’ ka farë jonxhe- thuhet, jo duhet ta sjellim nga jashtë, jo jashtë s’ na e japim etj. Në fakt, kullota s’ ka, jonxhë s’ mbillet, fshatarëve s’ u japim as trarë, as gozhdë, as dërrasa për të meremetuar shtëpitë e tyre, pa le stallat e bagëtisë dhe nga ana tjetër u themi «shto bagëtinë». Përveç kësaj ne kemi ndryshuar kushedi sa herë tatimin e mishit që ka qenë i dëmshëm për zhvillimin e bagëtive.[xv]
      Hoxha këtu qartësisht reflekton mbi kritikat që iu bënë në Moskë, një vit më parë, megjithatë gjendja dukej pa shpresë. Gjithçka duhet ta bëjë shteti, me anë të ekonomisë së planifikuar, por prodhimi kryesor i saj janë planet vetë, të cilët nuk realizohen. Hoxha, nw kujtimet, duke rrëfyer më tutje për takimin me udhëheqësit sovjetikë në Moskë, në qershor 1953, shprehet shumë i indinjuar ndaj ministrit sovjetik të Tregtisë, Mikoyan, për ato që i tha për gjendjen e përgjithshme ekonomike në Shqipëri:
       Por zëri i Mikojanit nuk më la të mendoja më gjatë. Si i shifrave që qe, Mikojani po fliste me përqindje, me shifra, me krahasime, me tabela. Pastaj vazhdoi:
-Situatën ekonomike e keni të keqe, bujqësia juaj është në gjendje mizerabël, keni bagëti më pak se para luftës, 20% të bukës e importoni, kolektivizimi ecën ngadalë, fshatarësia nuk është e bindur për kolektivizimin. Ju i shfrytëzoni fshatarët. Çështjet financiare ju shkojnë keq. Ju nuk dini të bëni tregti- llomotiste armeni-... planet tuaja vazhdimisht nuk realizohen. Të marrim ndërtimin. Ju po bëni ndërtime kolosale për vendin tuaj, por këto ndërtime nuk realizohen, sepse së pari, ju mungon krahu i punës dhe s’ keni krijuar kushtet e përshtatshme, së dyti sepse jeni angazhuar në ndërtimin e shumë fabrikave që nuk janë të nevojshme. Këto ndërtime ju i bëni pa llogaritur kushtet reale të Shqipërisë... E ç’ i duhen gjithë këto fabrika Shqipërisë?[xvi]
      Në fakt Mikoyan kishte bërë epigramin e katastrofës së planifikuar ekonomike në të cilën e kishte çuar regjimi i Hoxhës Shqipërinë. Këtë gjë do ta pohonte vetë Hoxha, kur të kthehej nga Moska. Në Plenumin IX të Komitetit Qendror, në dhjetor 1953, Hoxha jo vetëm që do të pohonte atë që tha Mikoyan për disproporcionin mes investimeve në industri dhe në bujqësi, por do ta ilustronte këtë edhe me shifra:
       Investimet për zhvillimin e bujqësisë janë shumë të vogla në krahasim me ato të industrisë. Kështu nga 14 330 000 lekë që janë investuar për ndërtime për industri-minierat, investohen 5 051 000 lekë, ndërsa për bujqësinë 2 534 000 lekë.[xvii]
      Në Plenumin X të Komitetit Qendror, në prill 1954, Hoxha pohoi edhe atë që tha Mikoyan për mungesën e krahëve të punës për projektet industriale:
       Nga ana tjetër ndërtimet e mëdha industriale tërhoqën investime të mëdha nga ana e tyre, tërhoqën krahë pune shumë nga fshati, u braktisën tokat; detyrimet e larta, politika e stimulacioneve jo e drejtë dhe jo e studjuar mirë, furnizimet e pakta për fshatin me mallra të konsumit, krijuan situatën e rëndë për bujqësinë tonë. Jo vetëm që investimet tona në bujqësi kanë qenë të pakta, por edhe sikur më shumë të kishin qenë, ne nuk do të dilnim mirë me të gjitha këto të meta që kishim dhe kemi në punën tonë.[xviii]
      Plenumi VIII i Komitetit Qendror i dhjetorit 1953 vendosi të zbatojë të gjitha rekomandimet që iu bënë Hoxhës në Moskë për ekonominë. Rezoluta e plenumit thotë:
       Në planifikimin tonë ka pasur gabime serioze. Në përpilimin e planeve nuk janë shikuar sa duhet proporcionet e investimeve në mes sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, nuk janë pasur parasysh sa duhet nevojat urgjente dhe mundësitë e brendshme. Kreditë e akorduara nga Bashkimi Sovjetik në radhë të parë dhe nga vendet e demokracisë popullore, nga një mosstudim serioz nga ana jonë, janë kërkuar në disa raste për ngritje objektesh industriale të kushtueshme për ne dhe që mund të bënim edhe pa to për një periudhë, përderisa bazat kryesore të industrisë së lehtë i kishim hedhur. Do të kishte qenë më e drejtë që ne, një pjesë të konsiderueshme të kredive të akorduara t’ i investonim në bujqësi dhe të zhvillohej kjo në harmoni me industrinë. Kjo çështje nuk është parë drejt dhe ndërtimet e mëdha të kryera në një periudhë kohe të shkurtër e kanë varfëruar bujqësinë në drejtim të fuqisë punëtore dhe të shumë nevojave të tjera… Ndërtimet e mëdha industriale na kanë bërë të dobësojmë furnizimin e fshatit me shumë lëndë industriale, si lëndë druri, gozhda, prodhime të fabrikuara etj.[xix]
      Kjo do të thoshte se modeli stalinist i industrializmit të përshpejtuar kishte marrë fund në Shqipëri, para se të fillonte mirë. Sovjetikët i sugjeruan të përqëndrohet tek bujqësia dhe të ngadalësojë ritmin e industrializimit, në mënyrë që të përmirësohej niveli i jetesës. Gjendja ekonomike në Shqipëri ishte madje ishte edhe më e keqe se ç’ i thanë udhëheqësit sovjetikë Hoxhës, në takimin në Moskë, në qershor 1953. Dëshmia më e mirë për këtë është ajo e Mihal Kaninit, kuzhinier në shtëpinë e Hoxhës, i cili kujton:
       Në vitet 1952-1955 kam qenë kuzhinier pranë familjes së shokut Enver. Po atëherë nuk ishte kështu si sot. Kishte pak veshje, pak ushqime dhe shumë pak bukë, çdo gjë me triska. Kisha katër fëmijë dhe gruan, të cilëve u takonin një kile e dyqind gram bukë e zezë e përzier me thekër. Po t’ u shtohej edhe triska ime u bëhej një kile e tetëqind gram. Po mbahen katër fëmijë me kaq bukë?[xx]
      Nëse bëjmë një zbritje të thjeshtë aritmetike, sipas shifra që na jep Mihal Kanini, pra të zbresim nga shifra prej 1 kilogram e tetëqind gram bukë, që merrte krejt familja prej gjashtë vetësh, shifrën prej 1 kilogram e dyqind gram që merrte pjesa tjetër e familjes, pa sasinë që merrte Mihal Kanini, del se ky i fundit merrte 600 gram bukë në ditë. Domethënë kaq merrte një punëtor, çfarë cilësohej kuzhinieri. Katër pjesëtarët e tjerë të familjes, nga të cilët tre fëmijë, u bie të merrnin nga 300 gram secili, por duket se fëmijët merrnin edhe më pak, se nëna e tyre duhet të merrte diçka më shumë, për punën që bënte, me sa duket 450 gram. Ndërsa fëmijët mbetet të merrnin nga 250 gram. Dhe kjo ndodhte kur mishi, perimet, frutat, qumështi, gjalpi etj., qenë në sasi shumë të vogla. Kjo do të thoshte se Shqipëria ishte e përfshirë në një krizë humanitare. E pastaj Hoxha kishte paturpësinë të thoshte se kalamënt e vendeve të marshalizuara (vendet e Europës Perëndimore ku ishte zbatuar Plani Marshall) duhet t’ i kishin zili fëmijët shqiptarë! Arsyeja për të cilën Mihal Kanini i tregon këto gjëra, është për të na bërë të ditur një gjest “filantropik” të Hoxhës:
       Pyeti për gjendjen ekonomike të secilit, për ushqimet e pakta, për triskat. Papritur tha:
-A jua mbajnë triskat për ushqimin që hani këtu në Pallat?
I thamë se na i mbanin, po duke tai këtë e kishte marrë vesh më parë. Mirëpo të mbahej triska e kryetarit të familjes atëherë ishte gjë e madhe, pasi pakësohej shumë ushqimi në shtëpi... U kthye nga Sterjo Gjokoreci, që atëherë ishte drejtor i Pallatit të Brigadave, dhe i tha:
-Mos ua ndaloni më triskat punonjësve, lërini t’ i çojnë në shtëpi se kanë nga një tog fëmijësh për të ushqyer.[xxi]
      Punëtorët e tjerë nuk e kishin këtë fat, ata duhet ta merrnin bukën nga shtëpia. Nëse në kohën për të cilën rrëfente Mihal Kanini ushqimi jepej me triska, në kohën kur ai  shkruante ushqimi jepej me tallona. Nën dritën e atyre që thotë vetë ish-kuzhinieri i Hoxhës, ngjajnë shumë false dhe cinike fjalët me të cilat Hoxha, në Kongresin III të PPSH, në 1956, refuzoi ofertën për ndihmë që Presidenti i SHBA, Eisenhower i bëri Shqipërisë:
       Populli shqiptar nuk vuan nga urija dhe nga sëmundjet, siç pretendohej në mesazhin e ndihmës të zotit president Ajzenhauer. Atë e kanë informuar keq. Populli shqiptar rron i lumtur dhe i gëzuar nën regjimin që e vendosi vetë duke lëftuar.[xxii]
      Se si mund të ndodhte kjo gjë, nuk kuptohet, derisa vetë Hoxha do të thoshte për ndihmën ekonomike që i dhanë sovjetikët gjatë vizitës së tij në Moskë, në qershor 1953:
       Natyrisht unë nuk mbeta i kënaqur nga çka kishin vendosur të na jepnin ata për kërkesat shumë modeste që ne u kishim bërë.[xxiii]
      Hoxha nuk kishte marrë më shumë nga Stalini, çka e ka pohuar vetë. Megjithëse Shqipëria nuk merrte veçse kredi të vogla nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste, ato qenë dhënë në terma të tilla të rënda, që e ngarkonin Shqipërinë me borxhe afatgjatë. Për këtë Hoxha tha në në Plenumin IX të Komitetit Qendror, në dhjetor 1953:
       Duke llogaritur gjendjen e kredive, në bazë të marrëveshjeve të lidhura me vendet miq, ne detyrohemi të kthejmë plotësisht këstet dhe interesat e tyre deri në vitin 1967 dhe këto kredi me gjithë interesat rriten në shumën 770 milion rubla (675 milion kredi dhe 95 milion interesa). Disa nga këto këste kemi filluar t’ i shlyejmë qysh këto vitet e fundit. Por duke filluar nga viti 1954 dhe në vitet e ardhshme shumat e shlyerjes së ratave shënojnë një rritje të madhe. Në vitin 1958 arrinin në 103 milion rubla në vit. Duke e marrë të veçuar periudhën 1954-1959, këstet dhe interesat që duhet të shlyejmë në bazë të marrëveshjeve, arrijnë shumën prej 327 milion rubla. Mirëpo me ritmin që parashikohet të zhvillohet ekonomia jonë gjatë po kësaj periudhe  (1954-1959) po rezulton se fuqia jonë eksportuese do të jetë rreth 460 milion rubla, pra vetëm shlyerja e kësteve dhe interesave të përmendura më lart kërkon 70 përqind të eksportit tonë. Parashikohet që importi ynë gjatë periudhës së lartpërmendur, për artikuj të llogaritur shumë shtrënguar dhe që ne jemi të detyruar t’ i importojmë si pajisje maqinash, bukë, maqineri, lëndë djegëse, mallra konsumi etj., të jetë rreth 570 milion rubla, duke pasur kështu një defiçit në bilancin tonë prej 110 milion rubla.[xxiv]
      Kreditë qenë dhënë qartësisht me kushte shumë të rënda. Kjo do të thotë se Hoxha e kishte shitur Shqipërinë tek Rusia, shumë më keq se ç’ kishte bërë Ahmet Zogu, i cili akuzohej nga Hoxha se e kishte shitur Shqipërinë tek Italia. Madje Hoxha me këto kredi i sillte Shqipërisë vjetërsira. Hoxha, në takimin që pati në Moskë me udhëheqësit sovjetikë, në qershor 1953, provoi t’ u kërkonte atyre të bënin ndaj Shqipërisë atë gjë që nuk e kishte bërë Stalini, u kërkoi që:
       të shihej mundësia për nënshkrimin e një traktati miqësie, bashkëpunimi dhe ndihme reciproke të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe me vendet e tjera të demokracive popullore.[xxv]
      Sovjetikët e pritën me hezitim këtë, madje Beria tha hapur se kishte frikë se:
       mos ky hap u binte fqinjëve si provokacion.[xxvi]
      Beria i cili kishte qenë më pranë Stalinit se udhëheqësit e tjerë sovjetikë të pranishëm në takim, e njihte mirë refuzimin e këtij të fundit për t’ a angazhuar Bashkimin Sovjetik formalisht kundrejt Shqipërisë, për të mos shkelur Marrëveshjen e Yalta-s. Sigurisht që Beria nuk shqetësohej aq për fqinjët e Shqipërisë, se sa për SHBA dhe Britaninë e Madhe të cilat qëndronin pas tyre. Hoxha shkruan në kujtimet për takimin në Moskë, në qershor 1953:
       Në fund i falenderova për pritjen dhe si kalimthi u thashë se Komiteti Qendror i Partisë sonë kishte vendosur që unë të shkarkohesha e të lehtësohesha nga shumë funksione dhe të mbaja vetëm funksionin kryesor të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë. Unë atëherë isha edhe Kryeministër, edhe ministër i Mbrojtjes, edhe ministër i Punëve të Jashtme. Këto funksione më kishin mbetur që kur u çlirua vendi dhe kur duheshin kapërcyer vështirësi të shumta, të shkaktuara nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm. Malenkovi e gjeti të drejtë këtë vendim dhe përsëriti dy herë rresht 'pravilno'-n e tij të preferuar.[xxvii]
      E vërteta është se kjo formulë e re e pushtetit ishte zbatuar tashmë në Moskë dhe do të zbatohej edhe në vendet vasale, duke përfshirë Shqiëprinë. Stalini kishte qenë sekretar i përgjithshëm e kryeministër. Me vdekjen e tij, pasuesit e tij, të cilët nuk donin më të lejonin që një njeri të merrte shumë pushtet, të cilin mund ta përdorte kundër tyre si Stalini, dolën me modelin e udhëheqjes kolegjiale duke u suprimuar posti i shefit të partisë sekretarit të përgjithshëm, si dhe duke u ndarë posti i sekretarit të KQ nga i shefit të qeverisë. Partia e udhëhiqte pushtetin, por jo duke i pasur i njëjti njeri në dorë të dy postet, madje as atë të shefit të partisë. Kjo ishte shenja e parë e fushatës kundër kultit të individit. Një ditë pas vdekjes së Stalinit, në 6 mars 1953, Malenkovi, që ishte Sekretar i KQ u bë edhe kryeministër. Në 14 mars 1953, Malenkovi, me kërkesën e tij u lirua nga detyra e sekretarit të Komitetit Qendror. Atë ditë emri i Hrushovit u vu i pari në rradhë ndër sekretarët e Komitetit Qendror, por ai nuk u zgjodh sejretar i përgjithshëm. Nuk kishte më shef të partisë, por ajo drejtohej kolegjialisht nga sekretariati. Posti i sekretarit të përgjithshëm, u quajt si post me tepër pushtet dhe u suprimua, se nuk donin më t’ i jepnin një njeriu të vetëm shumë pushtet, se kishin eksperiencë tragjike me Stalinin.
      Tre muaj pas në Moskë braktiset modeli i Stalinit që dy postet kryesore t’ i kishte një njeri, Komitetit Qendror i PPSH paska pasur të njëjtën ide?! Pastaj është i pabesueshëm shpjegimi se këto poste E. Hoxha i ka mbajtur për shkak të vështirësive të ëmdha të fillimit. Ky do të ishte argument për të mos i mbajtur gjithë këto poste një njeri i vetëm, se nuk ia dilte dot me ngarkesën që ato sillnin. Dhe si e gjeti Malenkovi të pranueshme se posti i sekretarit të përgjithshëm të KQ ishte kryesori, kur në Moskë ky post qe suprimuar, dhe bashkëbiseduesi i Hoxhës, Malenkovi, mbante pikërisht postin e kryeministrit? Si mund t’ ia jepte Malenkovit leksion për të cilin flet Hoxha, për rëndësinë e posteve lideri i një vendi të vogël që kishte ardhur në Moskë si lypës?
      Në rast se Komiteti Qendror i PPSH kishte vendosur ndarjen e posteve që para qershorit 1953, pse u prit deri në korrik 1954 për ta bërë këtë gjë, kur Hoxha dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit? Më e besueshme duket që Hoxhës, në takimin e Moskës, në qershor 1953, i thanë se duhet të lëshonte njërin nga dy postet që mbante. Hoxha ishte hezitues për atë se cilin nga dy postet duhej të mbante. Aq më tepër kur njeriu që do ta merrte postin që do të lëshonte ai, ishte qartësisht Shehu. Kështu që Hoxha e zvarriti për një vit lëshimin e njërit prej dy posteve që mbante. Në ndërkohë, Hoxha, pas kthimit nga Moska, në korrik, lëshoi dy portofolet ministrore që mbante, atë të Punëve të Jashtme dhe atë të Mbrojtjes. Portofolin e minsitrit të Mbrojtjes e mori Beqir Balluku, për të cilin, duke qenë me origjinë tiranase dhe i paaftë për të krijuar një bazë fuqie personale, Hoxha mund të ishte i sigurt se nuk do të përbënte kurrë rrezik për të. Hoxha shkruan në kujtimet se kur Gjenerali jugosllav Kupreshanin erdhi në Shqipëri në janar 1948, për çështjen e e ardhjes së divizionit jugosllav i tha:
      Shokët Balluku e Themelko ranë dakord në takimin që patën me shokun Tito.[xxviii]
      Beqir Balluku kishte thënë për Shehun në Plenumin VIII:
       Materiale, libra, dokumente të tjera, të ardhura nga Jugosllavia dhe shumë të nevojshme i kish lënë mënjanë.[xxix]
      Këtij njeriu po ia dorëzonte Hoxha çelësat e mbrojtjes së vendit. Behar Shtylla, i cili ishte një njeri afër Hoxhës që para luftës, u bë ministër i Punëve të Jashtme, post të cilin do ta mbante për 13 vjet deri në 1966. Në reflektim të kritikës sovjetike për fryrjen e administratës, në 23 korrik 1953 u mbajt një mbledhje e përbashkët e Byrosë Politike, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave, ku u ndryshua përbërja e qeverisë dhe u shkurtuan shumë ministri. Qeveria e kohës kur Hoxha shkoi në Moskë, në qershor 1953, e cila ishte krijuar në 1950, me ndryshimet e bëra në 1952 kishte 20 ministri dhe gjashtë zëvendëskryeministra. Me ndryshimet strukturore të bëra nga mbledhja e 23 korrikut 1953, numri i ministrive u përgjysmua, duke u zbritur në 10 dhe tashmë kishte vetëm dy zëvendëskryeministra. Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe Ministria e Tregtisë së Jashtme u bashkuan në një ministri, së cilës iu bashkëngjit dhe Ministria e Komunikacioneve, duke u quajtur ministria e re, Ministria e Tregtisë dhe Komunikacioneve. Ministria e Punëve Botore dhe Ministria e Ndërtimit u shkrinë me Ministrinë e Industrisë, që u quajt paskëtaj Ministria e Industrisë dhe Ndërtimit. Ministria e Grumbullimeve u shkri në Ministrinë e Bujqësisë, duke u formuar Ministria e Bujqësisë dhe Grumbullimeve. Kontrolli i Shtetit nuk ishte më ministri, por dikaster qendror. 
      Në mbledhjen e 23 korriku iu kërkua Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Omer Nishani, që të jepte dorëheqjen. Edhe kjo gjë kishte të bënte me modën e re të Moskës. Omer Nishani u shkarkua nga Hoxha në 1953, në kohën që në Bashkimin Sovjetik po kritikohej Beria për prirje klanore gjeorgjiane, çka nënkuptonte dhe Stalinin, i cili kishte qenë gjeorgjian. Prandaj Omer Nishani, praktikisht u shkarkua për t’ u zëvendësuar me Haxhi Lleshin. Hoxha nuk do të guxonte kurrë që ta vinte Haxhi Lleshin në vend të Omer Nishanit, duke ditur lidhjet e tij me Jugosllavinë, por këtë e bëri sipas frymës së re sovjetike sa u përket marrëdhënieve me Jugosllavinë.


2. 
«Fitorja e Pirros» ndaj Mehmet Shehut

      Eliminimin e Berias në Bashkimin Sovjetik, që u shpall në korrik 1953, Hoxha e pa si një rast të papritur për të eliminuar Shehun. Hoxha, në Plenumin IV të KQ, në 24 shtator 1982, në atë që e quajti «Tablo sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu», tha:
       Pas vdekjes së Stalinit, ekipi që erdhi në fuqi dënoi Berian, shefin e KGB-së sovjetike për shumë shkelje të ligjshmërisë. Ne i kërkuam Mehmet Shehut të shikonte se mos ishin bërë gabime edhe në organet e Ministrisë sonë të Punëve të Brendshme që drejtonte ai. Mehmet Shehu u tremb se mos ishin zbuluar lidhjet e tij me KGB-në sovjetike ose me agjenturat perëndimore dhe e pësonte si Beria.[xxx]
      Hoxha e kishte parë me shumë shqetësim fuqizimin e Shehut në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku Shehu kishte krijuar një bazë fuqie personale, duke emëruar njerëzit e vet në gjithandej strukturës së organeve të punëve të brendshme. Hoxha kishte provuar së paku një herë për ta larguar Shehun nga drejtimi i kësaj ministrie, por pa sukses. Tashmë Hoxha donte ta përdorte çështjen e Berias si ekspedient, për të eliminuar Shehun dhe për të spastruar Ministrinë e Brendshme nga njerëzit e tij. Eliminimi i Shehut tash ishte më i domosdoshëm se kurrë për Hoxhën të cilit tash i duhej që të lëshonte njërin nga postet që mbante, dhe dihej se atë do ta merrte Shehu. Në lidhje me atë që thotë Hoxha më lart, Shehu do të thoshte në autokritikën e vet tre muaj më pas, në Byronë Politike:
       Po në muajin korrik u shtrua në parti çështja e kryeartikullit te «Pravda» në lidhje me tradhtinë e Berias. Kjo çështje shkoi në të tëra organizatat e Partisë. Në bisedimet që kam pasur me shokun Enver në këtë kohë, më porositi t’ i shihja çështjet nën prizmin e atij kryeartikulli, edhe në organet e Ministrisë sonë të Brendshme, megjithëse unë si ministër isha në korent të tyre, por jo sa duhet. Më vonë, të inkurajuar nga punimi i kësaj letre të Komitetit Qendror, filluan të bëhen ankesa nga poshtë... Atëherë më kishte rënë në dorë edhe rezolucioni i Plenumit të KQ të PK të BS, që shoku Enver ma kishte dhënë për ta përkthyer dhe, me atë rast, më tha të shikoja edhe unë me kujdes rreth atyre të metave.[xxxi]
      Shehu e perceptoi kërkesën e Hoxhës sikur ky i fundit donte ta shpallte «Berian» shqiptar dhe ta eliminonte. Shehut nuk mund të mos i bënte përshtypje fakti që Hoxha u vu në lëvizje për një çështje kaq delikate pas një editoriali të gazetës «Pravda» dhe nuk priti që të kishte një qëndrim plotësisht zyrtar të Komitetit Qendror të PKBS. Kjo tregonte se Hoxha, duke e ditur mirë se nuk mund ta eliminonte Shehun pa lejen e Moskës, kishte pritur me padurim që nga Moska të vinte një sinjal që mund të përdorej për të filluar «gjuetinë e shtrigës» ndaj Shehut. I gjithë klani i Shehut u shqetësua. Kjo kuptohet kur Shehu thotë në autokritikën e vet në tetor 1953:
       Përsa i përket Lirisë (Belishova), ajo i ka thënë Fiqretit ’kini kujdes për Mehmetin se mos krijohet ndonjë situatë si ajo që ndodhi pas Kongresit të Parë’. Çfarë situate ishte krijuar atëherë për organet e punëve të brendshme? Kryesorja është se puna në Sigurim ra dhe iu desh Partisë që ta ngrejë atë situatë. Liria imagjinon tani se një situatë e tillë mund të përsëritet edhe një herë tjetër.[xxxii]
      Shehu avancon në këtë çështje duke thënë se kërkesa e Hoxhës shkaktoi shqetësim tek punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme:     
       Por një shprehje të tillë kam dëgjuar unë edhe në organet e Ministrisë së Brendshme dhe ja se si: Letra që u kam dërguar unë organeve të brendshme në terren nuk para është dheksur nga Kadriu. Mbasi e firmosi atë edhe shoku Enver, ra fjala me Kadriun mbi këtë çështje dhe ai tha se me këtë do të na krijohet një situatë si ajo e pas Kongresit të Parë të Partisë.[xxxiii]
      Pas eliminimit të Xoxes Hoxha kishte dalë si mbrojtës i njerëzve të Sigurimit të Shtetit dhe të organeve të punëve të brendshme në përgjithësi. Tashmë që Shehu ishte fuqizuar shumë atje, Hoxha po fliste ndryshe, se donte ta spastronte Ministrinë e Punëve të Brendshme nga njerëzit e Shehut. Shehu me atë që thotë më lart kërkon të ushqejë dyshimin e Hoxhës ndaj Kadri Hazbiut, zëvendësit të parë të Shehut. Ky i fundit e dinte se Kadri Hazbiu e spiunonte atë tek Hoxha, por tash që çështja po shtrohej në analogji me atë të Berias, Kadri Hazbiu ishte seriozisht i trembur edhe për vete. Hoxha kishte shkaktuar pikërisht atë që donte më pak, unitetin e plotë mes Shehut dhe njerëzve të organeve të punëve të brendshme. Që ishte përgatitur një skenar për eliminimin e Shehut, kjo gjë kuptohet kur ky i fundit thotë në autokritikën e vet në Byronë Politike, në tetor 1953:
       Në këtë kohë doli edhe çështja e Sokrat Bufit, të cilën ju e dini... Në akuzat që bën ai në letrën që i dërgon KQ prek çështjet më serioze kundër meje, duke thënë se është karrierist, kërkon të minojë Komandantin, se ai ka tërhequr me vete Byronë Politike duke goditur Tuk Jakovën, se ai është antisovjetik e të tjera idiotizma të tilla... Mbasi mora vesh se kjo çështje u shtrua edhe në Sekretariat, arrita në konkluzionin se Sekretariati ka gabuar me procedurën që përdori në këtë rast. Sipas pikëpamjes sime të atëhershme, Sokrat Bufi duhej gjykuar që ngre këto gjëra për Mehmetin, që është anëtar i Byrosë Politike, sepse Sokrati ose është i çmendur, ose është provokator, prandaj pas takimit të tij me Manushin, mua më dukej e tepërt thirrja e tij në Sekretariat. Unë e thashë edhe në Byronë Politike se Sokrat Bufi i çmendur nuk është, atëherë duhet të jetë provokator, prandaj si i tillë, duhet të hidhet jashtë Partisë e të futet në burg. Sipas mendimit tim të atëhershëm, po të mos bëhej kështu, besimi i Sekretariatit dhe i Sekretarit të Përgjithshëm kundrejt meje nuk ishte i plotë dhe më dukej sikur pikërisht për këtë, çështja e Sokrat Bufit po zvarrisej.[xxxiv]
      Sokrat Bufi ishte nga Fieri dhe e kishte njohur Shehun që kur ky u kthye në Shqipëri në 1942. Në atë kohë Sokrat Bufi gjendej me studime në Moskë, në kohën që atje ishte me studime dhe njeriu i Hoxhës, Ramiz Alia, i cili duket se e ka përpunuar Sokrat Bufin për llogari të Hoxhës. Djalin e Sokrat Bufit, Yllin, Ramiz Alia, kur ishte President i Republikës do ta bënte kryeministër në qershor 1991, pasi e kishte bërë ministër në 1990. Shehu e kuptonte se Sokrat Bufi e kishte bërë gjithçka i nxitur nga Hoxha, prandaj e shtronte çështjen në atë mënyrë, që Hoxha të detyrohej që, ose t’ i jepte sadisfaksion të plotë, duke e dënuar Sokrat Bufin, ose t’ i thoshte hapur Shehut se dyshonte ndaj tij, çka pastaj do të thoshte që të shpallej hapur lufta mes Hoxhës dhe Shehut. Ajo që të bën përshtypje është se çështjen e letrës së Sokrat Bufit e trajton Sekretariati i Komitetit Qendror, ndërsa për një incident mes Hoxhës dhe Shehut, që ndodhi në atë periudhë tensioni mes të dyve, por që gjithsesi ishte shumë më pak i rëndësishëm se çështja e letrës, mblidhet Byroja Politike. Shehu e rrëfen kështu këtë incident në autokritikën e vet në tetor 1953:
       Mirëpo një ditë, sesi ra fjala që ai kishte dhënë urdhër për të ndaluar transportimin e disa qindra të rinjve që ishin nisur për në hidrocentral, unë i thashë shokut Enver se nuk më duket e drejtë një masë e tillë. Ai me të drejtë u nxeh, por u nxeha edhe unë dhe erdhi çështja sa të mblidhnim Byronë Politike...Sigurisht ajo e ka vrarë dhe shokun Enver, se është hera e parë që midis nesh ndodh një incident i tillë.[xxxv]
      Hoxha donte që të rinjtë të cilët po i çonin të punonin në ndërtimin e hidrocentralit, të shkonin në këmbë dhe jo me automjete. Tekefundit Hoxha kishte të drejtë, nëse konsiderohet se këta të rinj shiheshin si skllevër që bënin punë të detyruar, dhe që do të bënin me krahët e tyre, me kazma e lopata, atë punë që duhej ta bënin ekskavatorët dhe automjetet e tjera që përdoreshin në punime të tilla. Nga ato që thotë Hoxha më lart dhe duke njohur temperamentin e tij kolerik të tij dhe të Shehut, kuptohet se episodi i mësipërm ka qenë një grindje e fortë  mes të dyve. Hoxha e rrëfen kështu vazhdimin e kësaj historie, me Shehun që:
       Shkoi te ambasadori sovjetik, Leviçkin, të cilin e siguroi për besnikërinë e tij ndaj ekipit të ri hrushovian që erdhi në fuqi dhe kërkoi mbrojtjen sovjetike, sepse, sipas thënieve të tij «Enver Hoxha e shihte me dyshim» dhe për këtë ishte shumë i tronditur. Leviçkini e këshilloi Mehmetin të vinte tek unë dhe të sqaronte pozitën e tij duke e siguruar se edhe ai do ta mbronte.[xxxvi]
      Ajo që donte të dinte Shehu nga ministri sovjetik ishte nëse çka po bënte Hoxha ndaj tij kishte miratimin e Moskës, pra nëse sovjetikët donin eliminimin e atij, Shehut, si «Beria» shqiptar. Ajo çka i tha ministri sovjetik, e alarmoi më shumë shumë Shehun, i cili e rrëfen kështu në autokritikën e vet:
       Shoku Leviçkin, mbasi mbarova së foluri, më tha se ne «nuk përzihemi në çështjet tuaja të brendshme» dhe, së pari, më orientoi të qetësohesha dhe pastaj të bisedoja me shokun Enver për zgjidhjen e çështjes.[xxxvii]
      Më e pakta që Shehu priste nga takimi me Leviçkinin ishte që ministri sovjetik t’ i thërriste në Legatën sovjetike të dy, Hoxhën dhe Shehun, dhe kjo çështje të zgjidhej atje, duke e mbrojtur sovjetikët Shehun si njeriun e tyre më besnik në Shqipëri. Derisa ministri sovjetik nuk veproi kështu, Shehu e interpretoi këtë sikur sovjetikët kishin miratuar kërkesën e Hoxhës për të eliminuar atë, Shehun. Më e mira që priste Shehu nga takimi me ministrin sovjetik ishte leja e sovjetikëve që ai të eliminonte Hoxhën, dhe Shehu duhet t’ u ketë bërë aluzione për këtë gjë. Sovjetikët në atë kohë nuk mund të bënin as të parën dhe as të dytën. Sovjetikët e kishin ndjekur me vëmendje luftën e ftohtë që zhvillohej mes Hoxhës dhe Shehut pas vitit 1948, kur ky i fundit u bë numri 2 i regjimit dhe kishin kuptuar se në dinamikë të këtij konflikti qe Shehu. Sovjetikët nuk kishin ndërhyrë për t’ i dhënë fund kësaj lufte se atyre u konvenonte që Hoxha të ndihej i rrezikuar, se kjo do ta bënte më tepër skllav të sovjetikëve.
      Por tash që konflikti precipitoi, sovjetikët nuk mund të merrnin kaq hapur anën e Shehut në konflikt, ndryshe kjo do të thoshte që autoriteti i Hoxhës të bëhej nul, dhe ky i fundit të vihej në raport me Shehun, në pozitën që u gjend pas Plenumit VIII, në raport me Xoxen, duke marrë sovjetikët vendin e jugosllavëve në këtë konflikt mes dy udhëheqësve. Sovjetikët nuk donin që Shehu të eliminohej, por nuk donin as që eliminimi i tij të evitohej me çmimin e eliminimit të autoritetit të Hoxhës. Ambasadori sovjetik, e vlerësonte intelektin e Shehut aq sa të priste që ky ta kuptonte këtë gjë, kur e adresonte që të bisedonte me Hoxhën, duke i kërkuar paraprakisht që të qetësohej. Por Shehu i trembej edhe praktikës së faktit të kryer, që përdorte Hoxha. Shehu e dinte se të kërkonte një takim kokë më kokë me Hoxhën, kjo do të thoshte që të shkonte natën në shtëpinë e këtij të fundit, dhe Shehu i trembej kësaj gjëje, mbi të gjitha i trembej daljes pas mesnate nga shtëpia e Hoxhës, dhe asaj që mund të ndodhte në rrugën deri tek shtëpia e tij. Shehu druante se mos në dalje «vriste veten» si miku i tij, Spiru. Kështu që Shehu hezitoi që ta kërkonte takimin e këshilluar nga ministri sovjetik.
      Sipas manualit stalinian të eliminimeve politike, Hoxha, në kohën që kishte filluar të zbatonte skenarin e eliminimit të Shehut, bënte gjeste që duhej ta qetësonin këtë të fundit. Në 14 korrik 1953 Hoxha mori pjesë në mitingun e organizuar në Poçem të Mallakastrës, me rastin e 10-vjetorit të mbledhjes së Poçemit, ku mbajti një fjalim, në të cilin tha:
       Vendimin që mori në këtë ditë historike këtu në Poçem, populli trim dhe patriot i Mallakastrës e vuri menjëherë në zbatim. Ai, nën udhëheqjen e Partisë, nën komandën e shokut Mehmet Shehu, birit të dashur dhe besnik të popullit tonë, e priti me luftë të përgjakshme ofensivën e ushtrisë italiane, dërmoi pa mëshirë sulmin e saj të poshtër.[xxxviii]
       Sovjetikët filluan të shqetësohen se mos në Tiranë ndodhte ajo që kishte ndodhur në udhëheqjen sovjetike në rastin e Berias, pra që Hoxha të vriste Shehun ose e kundërta. Prandaj sovjetikët lëvizën. Hoxha shkruan për këtë në kujtimet:
       Vetë Leviçkini erdhi, më parashtroi shqetësimet e Mehmet Shehut dhe më tregoi se si e kishte këshilluar të vinte tek unë. Mehmet Shehu nuk erdhi për dy- tri javë.[xxxix]
      Kjo krijonte një situatë komode për Hoxhën, se tashmë atij nuk i mbetej veçse të priste Shehun. Gjërat vazhduan kështu, sipas Hoxhës:
       Në një takim tjetër me Leviçkinin ky më pyeti:
-A biseduat me Mehmet Shehun?
-Nuk ka kërkuar ndonjë takim me mua,- iu përgjigja.
-Mos ndoshta duhet ta thërritni ju?- më pyeti Leviçkini.
-Në asnjë mënyrë!- i thashë.- Nuk kam pse ta thërres unë, përkundrazi, ai vetë duhet të paraqitet e të bëjë autokritikë të thellë. Ne vërtet jemi miq me ju, por unë e konsideroj shumë të gabuar faktin që ai erdhi të bisedojë me ju për një problem që ka të bëjë me ne, pa biseduar më parë me mua si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë.[xl]
      Problemi i Hoxhës nuk ishte se shkelej sovraniteti i Shqipërisë, por se një tjetër udhëheqës shqiptar kishte të njëjtat atribute me të pranë Legatës Sovjetike. Që Hoxha nuk e ka hallin tek sovraniteti i vendit, kjo kuptohet kur ai i bën të ditur ministrit sovjetik se Shehu mund të vinte tek ai, vetëm pasi të kishte folur më parë më atë, Hoxhën. Kumti i Hoxhës për sovjetikët ishte i qartë: unë jam interlokutori juaj në Shqipëri, dhe të tjerët mund të vijnë tek ju duke kaluar nëpërmjet meje. Pra e gjithë çështja ishte një xhelozi mes kolaboracionistësh prosovjetikë, siç kishte dikur mes kolaboracionistësh projugosllavë. Në këtë pikë ministri sovjetik thirri Shehun. Ky i fundit thotë për këtë në autokritikën e vet:     
       Si shkuan 15-20 ditë, më thirri shoku Leviçkin dhe më pyeti nëse kisha biseduar me shokun Enver. I thashë se kisha menduar pas 5 tetorit. Shoku Leviçkin më tha se mendimi i tij personal ishte të mos prisja, sepse analiza e punës së dikasterit ishte një çështje tjetër. Kjo më ndihmoi dhe të nesërmen bisedova me shokun Enver.[xli]
      Pikërisht këtë donte të dëgjonte Shehu, se këto dy çështje qenë të ndara. Por tash ai ende donte të merrte sadisfaksion për çështjen e Sokrat Bufit. Shehu shkoi të takohet me Hoxhën, por ky takim nuk ishte siç e priste ky i fundit. Shehu thotë për këtë takim në autokritikën e vet:
      «Unë i thashë shokut Enver se «nuk jam dakord me procedurën që ndoqi Sekretariati, duhej mbajtur tjetër qëndrim dhe Sokrat Bufi duhej të përjashtohej nga Partia». Pa e parë mirë çështjen, kështu mendoja unë, e shtroja çështjen «o ka besim tek unë Partia, ose nuk ka». Njëkohësisht shokut Enver i thashë se «ndiej edhe një ftohtësirë midis nesh», por ai më tha «thellohu, se nuk e ke drejt, këtu nuk është çështja te Sokrat Bufi, po çështja kryesore është se mos e ke humbur ti besimin në këtë mes».[xlii]
      Hoxha, edhe pse tashmë e dinte se nuk mund ta eliminonte
Shehun, donte që së paku ta përdorte këtë rast për t’ ia shkatërruar autoritetin që kishte krijuar ai, si një udhëheqës praktikisht i pavarur nga Hoxha. Por sovjetikët që po e ndiqnin me vëmendje këtë histori, ndërhyjnë përsëri dhe të nesërmen Hoxha flet ndryshe. Shehu e rrëfen kështu vazhdimin e historisë:
       Të nesërmen më thirri prapë shoku Enver. Vajta dhe biseduam. Më tha «do të të ndihmoj për të dalë nga kjo situatë, se nuk e ke drejt». Unë përsërita të parat, ngula këmbë se çështja e Sokrat Bufit është çështja kryesore, ndërsa shoku Enver e shtronte ndryshe... I thashë shokut Enver «nga një anë po më ndihmon shoku Enver, por nga ana tjetër, po më vret me dorën tënde, praktikisht je duke më vrarë». Dje tërë ditën dhe mbrëmë natën nuk kam fjetur fare gjer sot në mëngjes, duke menduar vazhdimisht.[xliii]
      Hoxha, pasi e pa se Shehu nuk kishte ndërmend që të bënte një autokritikë vetëposhtëruese, tashmë e kishte hallin që ai të bënte një autokritikë të tillë sa Hoxha të shpëtonte autoritetin e vet. Tashmë edhe sovjetikët kërkonin pikërisht këtë gjë se ata nuk donin që nga kjo përplasje Hoxha të dilte me autoritet të shkatërruar. Prandaj sovjetikët ndërhynë përsëri. Shehu e rrëfen kështu vazhdimin e historisë:
      «Sot në mëngjes më thirri prapë shoku Enver, biseduam po nuk ramë dakord... Shoku Enver përsëri më tha të thellohem mirë, se «nuk i sheh drejt akoma çështjet dhe duhet të dalësh me doemos nga kjo situatë. Gjysmë ore pasi isha larguar nga shoku Enver shkova te Leviçkini. I thashë se bisedova me shokun Enver dhe ’nuk mund të jem dakord’ i thashë, ’kur çështjet shtrohen kështu». Shoku Leviçkin më ndihmoi jashtëzakonisht që ta shoh çështjen si duhet, më rekomandoi të thellohem në gabimet e mia. «Çështja e Sokrat Bufit ashtu si e shtron ti- tha ai- nuk është shtruar drejt, po shtrembër. Pastaj edhe çështja e besimit ose e mosbesimit nuk ka pse të shtrohet, unë e njoh mirë shokun Enver, të njoh mirë edhe ty, prandaj nuk ka ku të qëndrojë mosbesimi në vijën e përgjithshme të Partisë, ti je në udhëheqje, prandaj shih mirë të metat e tua në punë, të metat personale etj». Kjo ka ndodhur sot paradite.[xliv]
      Shehu e kuptoi se gjërat nuk mund të bëheshin ndryshe. Në rast se çështja do të mbyllej me sadisfaksionin e Shehut, atëherë Hoxha nuk mund të ishte më Sekretar i Përgjithshëm dhe kryeministër. Shehu nuk kishte menduar se ai do ta eliminonte Hoxhën dhe do t’ ia zinte vendin, duke përfituar nga një konflikt i këtij lloji. Kjo nuk ishte veçse një provë force mes tyre. Një provë force ku Shehu tregoi gjithë forcën e vet dhe në fund bëri një tërheqje taktike. Hoxha shkruan për këtë:
       I shtyrë edhe nga Leviçkini, ai erdhi tek unë, bëri autokritikë, bëri gjithashtu autokritikë edhe në Byronë Politike dhe në Plenumin e Komitetit Qendror, duke thënë se kishte bërë një gabim të rëndë që kishte shkuar tek ambasadori sovjetik për t’ u ankuar për Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Qendror pa biseduar me të dhe pa e shtruar çështjen në udhëheqjen e Partisë.[xlv]
      Kjo ishte një «Fitore e Pirros» për Hoxhën se ishte hera e parë që një udhëheqës i lartë që hynte në konflikt me udhëheqësin suprem, ia hidhte vetëm me një autokritikë, dhe ruante postin e vet në parti dhe në qeveri. Të gjithë ata të cilët qenë në dijeni të çështjes, anëtarët e Byrosë Politike, Komitetit Qendror dhe disa të tjerë, e kishin të qartë se, derisa në rastin e Hoxhës kishte fituar Sekretari i Përgjithshëm, në rastin e Shehut kishte fituar ky personalisht dhe jo zevendëskryeministri dhe anëtari i Byrosë Politike. Të gjithë e kishin të qartë se në rast se në vend të Shehut do të kishte qenë dikush tjetër, atëherë me siguri që do të kishte humbur postin në qeveri dhe vendin në Byronë Politike. Tashmë të gjithë e kishin të qartë se Shehu kishte një status special në raport me sovjetikët, të cilin nuk e kishte pasur p.sh. Jakova, i cili ishte numri tre i regjimit. Hoxha tha në përfundim të mbledhjes së Byrosë Politike ku Shehu bëri autokritikë:
       Çështjen e Mehmetit unë e konsideroj të mbyllur me suksesin më të madh për Partinë tonë dhe tani na vihet detyra të vazhdojmë të kryejmë mirë punët që kemi përpara.[xlvi]
      Këto fjalë qenë pohim i dobësisë dhe i tërheqjes së Hoxhës. Të pranishmit nuk qenë mësuar që ta shihnin Hoxhën të fliste me këtë gjuhë me ata që e kishin sfiduar dhe bënin autokritikë. Ishte edhe më keq se një «fitore e Pirros» se prijësi kundërshtar ishte atje, i gatshëm për betejën tjetër. Sa për atë që tha Hoxha se tash duhet të kryenin mirë punët e mëdha që kishin përpara, e para prej tyre ishte se popullit i mungonte kripa. Në 6 mars 1954 u mbajt një mbledhje e Byrosë Politike për çështjen e kripës, ku Hoxha tha:
       Na thanë se nuk ka kripë. Për të vërtetuar këtë ne çuam njerëz për kontroll dhe doli se kripa ishte peshuar gabim. Përveç kësaj, në qeveri dolëm me një sasi më të madhe nga sa ishte parashikuar për rezervë. Më vonë na doli përpara edhe firua. Ne kishim vendosur që kripën ta hiqnim nga stimulacioni dhe ta linim të shitej lirisht, por gjendja në fshat është e tillë që tani për tani ajo s’ mund të bëhet. Prandaj ne duhet të marrim disa masa që popullin të mos e lemë pa kripë. Kur pamë këtë gjendje ne u alarmuam dhe menjëherë urdhëruam që kripa të racionohet. Kështu racioni i saj u bë 250 gram në muaj për frymë, sasi kjo që është shumë e paktë; u krijua kështu një sistuatë e vështirë për kripë. Por të mos harrojmë se edhe transportimi i kripës nuk është bërë në rregull. Si rrjedhim janë në depo 1400 ton.[xlvii]
      Këto qenë çuditë e ekonomisë shtetërore të planifikuar. Shteti nuk arrinte t’ i jepte popullit as sasinë e kripës të përcaktuar prej saj me racion, dhe kur bëheshin  kontrolle shihej se nuk mund t’ i jepte as gjithë kripën që gjendej në depo, për shkak të problemeve me transportit, dhe në ndërkohë kripa fironte! Shprehja tradicionale për të varfërit në të kaluarën: «ka mbetur me bukë e kripë», nuk vlente më në kohën e të ashtuquajturit pushtet popullor, jo se ishte zhdukur varfëria, por se shqiptarët tashmë nuk kishin as kripë! Hoxha do të thoshte më tutje në këtë mbledhje:
       Byroja Politike dhe qeveria interesohen kaq shumë për çështjen e kripës, pse pa të s’ mund të bëhet. Ka probleme te ne që nuk zgjidhen si duhet, ky është fakt, por për çështjen e kripës nuk mund të bëhen lëshime, prandaj kemi përgjegjësi të madhe pot a lemë popullin pa kripë.[xlviii]
      Në fakt shteti merrte vërtet një përgjegjësi të madhe, kur merrte përsipër që të merrte në duart e veta deri edhe furnizimin e popullit me kripë.


3.
«Vdekja» e Sekretarit të Përgjithshëm- kryeministër: Sekretari i Parë

      Në vendet diktatoriale dhe jo vetëm një model sundimi apo qeverisjeje shpesh vdes bashkë me bartësin e tij. Së bashku me Stalinin vdiq dhe Sekretari i Përgjithshëm-kryeministër-ushtarak, si model qeverisjeje. Në Kremlin pasoi era e udhëheqjes kolegjiale. Nocioni «udhëheqje kolegjiale» ishte një gjë që ishte nxjerrë nga arkivat e komunizmit dhe i përkiste kohës pas vdekjes së Leninit, kur pasuesit e tij u shprehën se në ato rrethana partinë dhe vendin mund ta drejtonte vetëm një kolegjium udhëheqësish dhe jo një individ. Kjo gjë ishte harruar kur Stalini e përqëndroi gjithë pushtetin në duart e veta dhe ridoli tash me vdekjen e Stalinit, kur pasuesit e tij e quanin të rrezikshme për sigurinë e tyre personale që një tjetër person të përqëndronte në duart e veta aq pushtet sa Stalini dhe krijuan atë që mund të quhet balanca e pushtetit në udhëheqjen komuniste. Tash ky model i ri duhet të zbatohej dhe në vendet satelite, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Hoxha do të thoshte në raportin që mbajti në Kongresin III të PPSH, në maj 1956:
       Partija Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe Komiteti i saj Qendror leninist mori masa vendimtare për rivendosjen e normave leniniste në parti, për rivendosjen e parimit të udhëheqjes kolektive në të gjitha hallkat e partisë, nga lart poshtë, për zhvillimin e autokritikës dhe të kritikës, për diskutimin dhe zgjidhjen në mënyrë kolektive të çështjeve më të rëndësishme.[xlix]
      Këtu do të vepronte ligji hegeliano-marksist i përsëritjes së ngjarjeve të mëdha historike dy herë, si tragjedi dhe si farsë. Tragjedia kremliniane ku Sekretari i Përgjithshëm-kryeministër u zhduk me vdekjen e Stalinit, do të përsëritej në Shqipëri si farsë, ku do të «vdiste» Hoxha Sekretar i Përgjithshëm-kryeministër, për të lindur Hoxha Sekretar i Parë.
      Viti 1954 ishte një vit i vështirë për Hoxhën, një vit transformimesh në mekanizmat e pushtetit, kur atij i dukej se ishte zhdukur gravitacioni i botës së regjimit të tij. Tashmë edhe në Shqipëri duhej të zbatohej modeli i ri sovjetik i udhëheqjes kolegjiale, sipas të cilit do të suprimohej posti i shefit të partisë, i Sekretarit të Përgjithshëm, dhe Sekretari i Parë, që do të ishte udhëheqësi më i lartë partiak nuk do të ishte më edhe kryetar i qeverisë. Sigurisht që këto ndryshime në Shqipëri do të vendoseshin gjatë një vizite në Moskë të udhëheqësve shqiptarë, ashtu siç kishte ndodhur dhe në vendet e tjera satelite. Sa më tepër që afronte koha për këtë, aq më nervoz bëhej Hoxha.
      Shprehje e këtij nervozizmi ishte edhe eliminimi i kushëririt të vet, Omer Nishanit. Ky i fundit, i pakënaqur që e larguan nga posti, duke qenë edhe njeri me humor të hollë, dhe që i pëlqente të pinte alkool, kishte filluar të fliste lart poshtë, pa diskrecion. Hoxha ishte i preokupuar se mos kjo sjellje e Nishanit eksploitohej nga Shehu për të montuar një proces ndaj tij, nga ku do të dilte i cenuar edhe Hoxha. Shehu dy vjet më parë kishte arrestuar vëllain e Omer Nishanit për agjitacion-propagandë kundër regjimit, dhe ai ishte liruar vetëm me ndërhyrjen e Hoxhës. Në këto rrethana, Hoxha e gjeti si jokonvenuese që Omer Nishani të vazhdonte të jetonte. Ai u gjend i qëlluar me dy plumba në mbrëmjen e datës 25 maj 1954, tre  ditë para zgjedhjeve për Kuvendin Popullor, ku ai nuk ishte në listën e kandidatëve. Hoxha nuk mori pjesë në varrim. Pas vdekjes së Omer Nishanit qarkulloi kjo anekdotë:
       -E di se cilat qenë fjalët e fundit të Omer Nishanit para se të vdiste?
      -Thonë se vdiq me emrin e shokut Enver në gojë.
      -Pikërisht. Ai tha: Shokë, mos qëlloni, prisni të flas në telefon me shokun Enver.
      Në qershor 1954 Hoxha u thirr në Moskë. Ai e rrëfen kështu në kujtimet e veta shkakun e kësaj vizite:
       Në qershor të vitit 1954 disa muaj pas hipjes së Hrushovit në postin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, bashkë me shokun Hysni Kapo na u desh të shkonim në Moskë dhe kërkuam takim me udhëheqësit sovjetikë për të biseduar problemet ekonomike që nuk po na i zgjidhnin. Na pritën Hrushovi me Malenkovin, që ishte akoma kryeministër, në praninë e Voroshilovit, Mikojanit, Suslovit dhe një apo dy të tjerëve të rangut më të ulët.[l]
      Por Hoxha nuk përmend ndonjë problem ekonomik të tillë, kur rrëfen për bisedat që pati me udhëheqësit sovjetikë. Përkundrazi, nga ato që tregon Hoxha në kujtimet e veta, kuptohet se qenë sovjetikët ata që kishin një problem me Hoxhën:
       Në një nga takimet që pata me Hrushovin, në qershor të vitit 1954, ai në rrugë gjoja parimore e teorike nisi të më shtjellonte rëndësinë e madhe të «udhëheqjes kolegjiale» dëmet e mëdha që vijnë kur kjo udhëheqje zëvendësohet nga kulti i një personi, më përmendi edhe citate të shkëputura Marksi e Lenini për të më dhënë të kuptoja se ato që thoshte i kishte mbështetur në një «taban marksist-leninist». Stalinin nuk e zuri në gojë për keq, por të gjitha bateritë i lëshoi mbi Berian duke e akuzuar këtë për faje të qena e të paqena».[li]
      Kështu, vetëm në qershor 1954 sovjetikët i folën Hoxhës për ndryshime në konceptin dhe përbërjen e udhëheqjes, pasi i patën kristalizuar ato. Tashmë në udhëheqjen sovjetike ishte profiluar Hrushovi si numri një, me postin e Sekretarit të Parë. Sovjetikët nuk e kishin thirrur Hoxhën për t’ i bërë dhënë këshilla të përgjithshme, por për t’ i kërkuar që të lëshonte njërin nga dy postet që mbante, madje do t’ i përcaktonin se cilin nga dy postet do të mbante. Që është biseduar për këtë kjo kuptohet tërthorazi edhe nga ajo që Hoxha thotë në kujtimet:
       Po në këtë takim, Hrushovi na tha se edhe partive të tjera motra u qe treguar «eksperienca» sovjetike se kush duhej sekretar i partisë e kush kryeministër në vendet e tjera të demokracisë popullore.
-Ne i biseduam këto çështje edhe me shokët polakë para kongresit të tyre- na tha Hrushovi- i rrahëm punët mirë e mirë dhe menduam që shoku Bierut të qëndronte kryetar i Këshillit të Ministrave dhe shoku Ohab të caktohej sekretar i parë i partisë.[lii]
      Sigurisht që Hrushovi, kur e trajtonte në këtë mënyrë udhëheqjen polake, aq më tepër që do të sillej në këtë mënyrë me udhëheqjen shqiptare, njerëzit e së cilës vinin në Moskë si lypësa. Duke e ditur që do të flitej për ndryshime në udhëheqje, Hoxha kishte marrë në Moskë vetëm Kapon dhe jo Shehun. Nëse Shehu do të ishte në delegacion, Hoxha do ta thoshte këtë gjë në kujtimet, se libri është botuar në 1980, pra para eliminimit të Shehut, kur nuk kishte asnjë arsye pse të mos përmendej emri i tij. Hoxha, qartësisht donte që postin që do të lëshonte ai ta merrte Kapo, të cilin e shikonte si shumë më pak të rrezikshëm se Shehun. Fakti që Shehu nuk ishte në delegacion tregon se mes tij dhe Hoxhës kishte pasur një grindje para nisjes në Moskë. Por sovjetikët mendonin ndryshe nga Hoxha. Ata donin në Shehu të merrte postin e kryeministrit. Hoxha nuk guxoi që të mos bënte atë që donin sovjetikët. A e merrte me mend se ç’ mund t’ i ndodhte nëse nuk do të tregohej i bindur ndaj Moskës, ajo që thotë ai se i ndodhi Bierutit:
       Por kongresi i Partisë Punëtore të Bashkuar Polake nuk i plotësoi dëshirat e Hrushovit. Bieruti, shok marksist-leninist i vendosur, për të cilin unë ruaj kujtime shumë të mira, u zgjodh sekretar i parë i partisë, kurse kryeministër u zgjodh Cirankieviçi. Hrushovi u «pajtua» me këtë vendim, sepse s’ kishte ç’ bënte. Por mafia revizioniste, që kishte filluar të gjallërohej, mendonte për të gjitha rrugët e mundësitë. Ajo po krijonte rrjetën e merimangës. Dhe nëse Bieruti nuk u spostua nga udhëheqja e partisë në Varshavë, siç deshi e siç diktoi Hrushovi, më pas do të eliminohej fare nga një «rrufë» e papritur në Moskë.[liii]
      Prandaj, pas kthimit nga Moska, Hoxha bëri pikë për pikë ato që i kërkuan sovjetikët. Në 12 korrik 1954 u mblodh Plenumi XI i Komitetit Qendror, që do të ishte një spektakël unik në llojin e vet. Ai do të ishte gjyqi i Sekretarit të Përgjithshëm-kryeministër. Akuzatori nuk do të qe kush tjetër përveçse Sekretari i Përgjithshëm-kryeministër, Hoxha dora vetë. Akt-akuza do të ishte raporti i Hoxhës me temë «Mbi disa çështje organizative në Parti» ku, sipas instruksioneve që kishte marrë në Moskë, foli së pari për udhëheqjen kolegjiale:
       Detyra jonë qëndron si kurdoherë të forcojmë në mënyrë të pareshtur udhëheqjen e Partisë dhe të aparateve shtetërore. Për këtë qëllim, një nga çështjet kryesore për të gjitha organet e Partisë është që të respektohen rigorozisht parimet e kolegjialitetit në udhëheqje dhe të mos bëhet asnjë shkelje në këtë drejtim. Çështjet duhet të zgjidhen në mënyrë kolegjiale dhe jo me dispozita individuale, që sjellin uljen e rolit të Partisë.[liv]
       Çështja e udhëheqjes kolegjiale nuk ishte një gjë abstrakte që mund të trajtohej me fraza të përgjithshme, por një gjë shumë konkrete. Udhëheqje kolegjiale nuk mund të kishte kur dy postet kryesore, ai i kreut të partisë dhe ai i kreut të qeverisë qenë në duart e të njëjtit njeri, si dhe kur ekzistonte shefi i partisë, si Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror, në vend që të kishte një Sekretar të Parë, i cili ishte i pari ndër të barabartët. Në Shqipëri nuk kishte udhëheqje kolegjiale dhe Hoxha nuk kishte bërë asgjë për ta krijuar atë. Deri më atëherë nuk ishte dëgjuar Hoxha që të fliste për gjëra të tilla. Që të shtrohej në Shqipëri problemi i udhëheqjes kolegjiale, kjo do të thoshte që t’ i drejtohej gishti Hoxhës si njeriu që kishte përqëndruar pushtetin në duart e veta, sipas modelit të Stalinit, duke e shndërruar udhëheqjen e vendit, thjesht në një sfond. Ekzistenca e Shehut më tepër e plotësonte se e korrigjonte modelin stalinian, derisa Shehu qëndronte në krah të Hoxhës si Beria pranë Stalinit, në rolin e dyfishtë të aleatit-armik. Hoxha, sipas udhëzimeve që kishte marrë në Moskë, do të vazhdonte të denonconte vetveten, duke folur edhe për kultin e individit:
       Zhvillimi i kultit të individit është i dëmshëm në një parti marksiste-leniniste pse jo vetëm dobëson rolin drejtues të partisë dhe të Komitetit Qendror, pengon forcimin e shpirtit të drejtimit kolegjial në udhëheqjen e partisë që është e vetmja garanci e urtësisë dhe e drejtësisë së vijës së partisë.[lv]
      Kjo ishte moda e re retorike e Moskës, ku kishte filluar të dënohej ai që quhej kulti i individit, pa u përmendur Stalini me emër. Termi «kulti i individit» ishte një term- eufemizëm për termin «diktator». Kështu, konsiderohej i keq diktati i individit mbi partinë, por jo i partisë, ose më saktë i klikës në krye të partisë, mbi krejt shoqërinë. Të gjithë të pranishmit që dëgjonin Hoxhën të fliste si më sipër, mendonin se në Shqipëri kishte vetëm një kult individi i cili pompohej nga propaganda zyrtare, ai i Hoxhës. Ekzistonte edhe kulti i Shehut, por ky ishte më tepër rezultat i veprimeve të këtij të fundit, se i propagandës zyrtare. Hoxha, në këtë fjalim do të shfajsohej edhe për kultin e vet:
       Shokët e Byrosë Politike kanë rastin t’ i thonë Komitetit Qendror se për shumë herë rresht përpara Byrosë Politike dhe shokëve të tjerë të udhëheqjes, Sekretari i Përgjithshëm e ka shtruar kurdoherë drejt çështjen e dëmeve që sjell kulti i individit dhe ka kërkuar që t’ u jepej fund një herë e përgjithmonë disa manifestimeve të tepruara që janë shfaqur në praktikën e jashtme nga masat e popullit ndaj personit të tij, siç janë thirrjet me skandencë të emrit të tij, ngritja e busteve nëpër qytete, vënia pa rast dhe pa arsye e fotografive të tij në gazeta dhe revista dhe ndonjë shfaqje tjetër e këtij lloji. Po e vërteta është të thuhet se këto çështje që ai i shtronte në bazë të parimeve leniniste, në mjaft raste janë marrë si shfaqje të thjeshtësisë së karakterit të tij. Tani është e nevojshme që Komiteti Qendror të orientojë Partinë në rradhë të parë, që t’ i japë fund një praktike të tillë.[lvi]
      Hoxha flet për veten në vetën e tretë, çka është simptomë e kultit të vetvetes. Në veprat e Hoxhës nuk është botuar asgjë që të vërtetojë këtë pretendim të tij, pra se para datës 12 korrik 1954, Hoxha paska shtruar kurdoherë në mbledhjet e Byrosë Politike çështjen e kultit të individit që po i krijokan atij pa dëshirën e tij. Pastaj pse Hoxha nuk foli publikisht për këtë çështje, nëse donte që kjo praktikë të merrte fund. Në veprën 11, në fund të tekstit të raportit të Hoxhës në Plenumin XI, ku gjenden fjalët e cituara më sipër të Hoxhës, thuhet:
       Botohet për herë të parë sipas origjinalit që gjendet në Arkivin Qendror të Partisë.[lvii]
       Vepra 11 është botuar në 1972, çka do të thotë se edhe fjalët e cituara më lart të Hoxhës janë bërë për herë të parë publike në këtë vit. Në veprën 11 nuk figuron as që Hoxha t’ u ketë çuar gjithë organizatave të partisë në vend ndonjë letër me udhëzime, për të tërhequr vëmendjen për teprimet në propagandë sa i përket personit të tij. Merret vesh, Hoxha thjesht po bënte një ritual retorik, për të treguar se u bëri jehonë direktivave që vinin nga Moska. Po atë ditë, në 12 korrik, Hoxha, do të fliste më tepër për këtë çështje në atë që në veprat e tij figuron si «Diskutim me kuadrot kryesorë të aparatit të KQ». Në këtë diskutim Hoxha tha:
       Siç e dëgjuat edhe nga raporti i Byrosë Politike se puna e Partisë sonë karakterizohet nga shpirti i kolegjialitetit, megjithatë në plenum u vunë në dukje edhe disa manifestime të tepruara që janë shfaqur në praktikën e jashtme ndaj personit tim. Kështu për shembull, kur mua më dërgon Partia të vete në bazë me shërbim, e kam vështirë të flas shtruar me punëtorët e fshatarët, pse më ndërpresin brohoritje të tepruara për personin tim.[lviii]
      Por të gjithë e dinin se brohoritjet bëheshin me sinjal nga njerëz të caktuar nga organizatorët e mitingjeve. Askush nga të pranishmit në një miting, ose në një mbledhje nuk do të guxonte kurrë që t’ ia priste fjalën Hoxhës, qoftë edhe duke brohoritur sloganet propagandistike. Kjo ishte nga ato gjëra që njerëzit e kishin të qartë vetë dhe që nuk kishte nevojë t’ ua bëje të ditur, ashtu siç i kanë të qarta shumë gjëra ata që jetojnë në diktaturë. Hoxha, me natyrën e vet të pamposhtshme prej komediani e zbulon se brohoritjet qenë të dirigjuara, kur thotë më tutje:
       Drejtoria e Propagandës duke u bazuar në direktivat e Komitetit Qendror, duhet të japë udhëzime të qarta që, në radhë të parë, të vihet në dukje Partia, Komiteti Qendror, udhëheqja e urtë e tij, të udhëzojë si të vendosen fotografitë e udhëheqësve të Partisë etj. Individi ka rolin e tij në histori, por faktori vendimtar janë masat e popullit me Partinë e klasës punëtore në krye. Prandaj, në mitingje e manifestime, të cilat janë të nevojshme, ne do të duartrokitim dhe do të thërrasim në rradhë të parë «Rroftë Partia», «Rroftë Komiteti Qendror».[lix]
      Me këtë kuptohet se edhe ajo që ndodhte më parë ishte zbatim i një direktive. Por përsëri nuk doli një letër në emër të Hoxhës për këtë çështje, se këtij nuk i bënte zemra. Koha do të tregonte se Hoxha nuk kishte dhënë në fakt një direktivë të prerë, por kishte bërë vetëm një ritual retorik, se pas dy vjetësh ai do të bënte sikur do të ankohej përsëri për të njëjtën çështje, kur pas Kongresit XX, ajo do të shtrohej përsëri. Por në vetvete Hoxha nuk do ta priste kritikën e Hrushovit për kultin e individit. Kjo duket veçanërisht nga një shënim që ai bën në ditar në 12 qershor 1962:
       Ndonjë mëngjes Hrushovi do ta akuzojë «kultin e personit» edhe pse s’ po i mbin lesh në kokën e tij tullace.[lx]
      Sipas moralit komunist kundërshtari nuk duhej fyer për të metat e tij fizike, por Hoxha e kishte një praktikë këtë dhe madje kishte indiskrecionin ta fiksonte  dhe në veprat e tij. Në plenumin e korrikut 1954, Hoxha, pasi mbaroi ritualin retorik paraprak, i paraqiti plenumit vendimin për eliminimin e tij si Sekretar i Përgjithshëm-kryeministër:
       Byroja Politike i propozon Komitetit Qendror të marrë masat e mëposhtme organizative:
1. Të pranohet propozimi i shokut Enver Hoxha që të lirohet nga funksionet shtetërore si Kryetar i Këshillit të Ministrave dhe t’ ja kushtojë të gjithë aktivitetin e tij drejtimit të Komitetit Qendor për forcimin e mëtejshëm të Partisë. Grumbullimi i shumë funksioneve në një person, në periudhat e para të çlirimit të atdheut, ishte i nevojshëm dhe i drejtë, pse situatat ishin të vështira. Partia dhe shteti ynë ishin të rinj, sapo kishin dalë nga lufta dhe kishin nevojë për forcim, për organizim. Por tash që Partia jonë dhe shteti ynë janë forcuar dhe punët janë zgjeruar shumë, grumbullimi i disa funksioneve në një person, bëhet një vështirësi dhe pengon zhvillimin e mëtejshëm të punëve. Nga ana tjetër bashkimi në një person i të dy funksioneve, Sekretar i Përgjithshëm ose Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë dhe Kryeministër, mund të krijojë një situatë që të dobësohet drejtimi dhe kontrolli vendimtar i Partisë dhe i Komitetit Qendror mbi të gjithë aktivitetin e vendit dhe mbi levat e saja, një nga të cilat është edhe pushteti qendror.[lxi]
      Për ata që dëgjonin, këto qenë gjëra krejt të habitshme. Deri më atëherë ishte quajtur si gjë e keqe dualiteti parti-pushtet, do të thotë kur shefi i partisë, i cili drejtonte dhe qeverinë, humbte kontrollin mbi njërën prej tyre, gjë për të cilin Hoxha e kishte ngritur zërin me të madhe në kohën e Xoxes. Tash po thuhej se kjo kishte qenë e gabuar dhe se i njëjti person nuk duhet t’ i kishte në duart e tij të dy levat kryesore të pushtetit, partinë dhe qeverinë. Të gjithë ata që dëgjonin atë që thoshte Hoxha për arsyet se përse të dy postet më të larta në fillim qenë bashkuar tek një njeri e kishin të qartë se kjo gjë ishte bërë se kështu ishte në Bashkimin Sovjetik, ku këto poste i mbante Stalini, dhe në Jugosllavi ku i mbante Tito. Gjithashtu e kishin të qartë se tashmë që nuk do t’ i mbante më të dy postet i njëjti njeri, kjo po bëhej se kështu ishte bërë në Bashkimin Sovjetik. E njëjta gjë mund të thuhej edhe për vendimin e dytë që komunikoi Hoxha:
       Të suprimohet funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë si jo i domosdoshëm dhe i panevojshëm dhe të krijohet funksioni i Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror, i cili drejton punët e Komitetit Qendror, të Byrosë Politike dhe të Sekretariatit.[lxii]
      Në këtë rast nuk u soll asnjë arsye se përse funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm ishte bërë i panevojshëm dhe jo i domosdoshëm. Një gjë ishte e sigurt, dhe e dinin të gjithë të pranishmit. Hoxha e mori këtë post se ai ekzistonte në Bashkimin Sovjetik dhe ky post po suprimohej tashmë që ishte suprimuar dhe në Bashkimin Sovjetik. Në 12 korrik 1954, në prani të anëtarëve të Komitetit Qendror vdiq Sekretari i Përgjithshëm-kryeministër. Suprimimi i postit të Sekretarit të Përgjithshëm dhe lëshimi i postit të kryeministrit do të thoshte një bjerrje e madhe autoriteti për Hoxhën. Posti i Sekretarit të Përgjithshëm ishte veshur me një aureolë autoriteti sublim, me prejardhje staliniane. Autoriteti i këtij posti vinte se ai ishte i lidhur me atë të kryeministrit. Në fillim kishte rënë titulli i Komandantit, tash dhe ai i kryeministrit, tash ai i Sekretarit të Përgjithshëm. «Kurora» e udhëheqësit ishte coptuar në të tre pjesët e triadës së autoritetit. Nuk qe e thënë që Hoxha ta gëzonte gjatë postin e Sekretarit të përgjithshëm të cilin e mori vetëm në 1948. Hoxha tashmë do të ishte vetëm Sekretari i Parë. Tek nomenklatura dhe populli kjo nuk mund të perceptohej ndryshe veçse si rënie graduale e tij. Ai e kuptonte shumë mirë këtë gjë dhe kjo e bënte nervoz. Hoxha sigurisht që do të bënte gjithçka për të ruajtur pushtetin e vet dhe për të mbetur ndryshimi thjesht një gjë semantike.
      20 korriku 1954 do të ishte dita e poshtërimit të dyfishtë të Hoxhës. Atë ditë u mblodh Kuvendi Popullor në seancë të posaçme, për të miratuar ndryshimin e vendosur në forumet e larta partiake. Hoxha i paraqiti Kuvendit Popullor dorëheqjen nga posti i kryeministrit:
       Më lejoni të falenderoj nga zemra me mirënjohje të pafund Partinë tonë dhe Kuvendin Popullor për nderin e madh dhe besimin që ata treguan ndaj meje duke më ngarkuar për më tepër se 11 vjet me funksionin e rëndësishëm të kryetarit të Këshillit të Ministrave.[lxiii]
      Aq shumë i trazuar ishte Hoxha nga fakti që po lëshonte postin e kryeministrit, sa bëri një lapsus dhe në vend që të thoshte se kishte qenë kryeministër për 10 vjet (ai e kishte marrë mandatin në Kongresin e Përmetit) në fund të majit 1944, tha më tepër se 11 vjet. Hoxhës, si të mos mjaftonte pezmi për lënien e postit të kryeministrit, i duhej që të ishte ai që do ta propozonte Shehun për të marrë këtë post: 
       Komiteti Qendror më ka ngarkuar t’ i propozoj Kuvendit Popullor që ky të ngarkojë për formimin e Qeverisë së re të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, anëtarin e Byrosë Politike, shokun Mehmet Shehu, shok me eksperiencë drejtimi, bir besnik i Partisë dhe i popullit.[lxiv]
      Pushteti i Hoxhës ishte ndarë përgjysëm dhe Shehu kishte marrë saktësisht gjysmën e tij. Kjo ishte një humbje e dyfishtë për Hoxhën dhe një fitore e dyfishtë për Shehun. Në rast se Hoxha kishte fituar një fije më tepër autoritet nga përplasja e fundit me Shehun, kjo u zhduk tash që ai u detyrua që t’ i lëshonte Shehut postin e kryeministrit. Shehu hyri në zyrën e lënë bosh nga Hoxha në selinë e kryeministrisë, e cila në atë kohë gjendej atje ku është edhe sot, në anë të bulevardit kryesor. Nga zyra e tij Shehu dukej sikur kishte rrokur fort sopatën-skeptër virtuale. Hoxha, i cili tashmë kishte mbetur vetëm me zyrën e tij në selinë e Komitetit Qendror, tek ish-pallati i vjetër mbretëror, prapa Galerisë së Arteve, të krijonte përshtypjen sikur i kishte shpëtuar nga dora sopata-skeptër virtuale.
      Me lënien e postit të kryeministrit nga Hoxha dhe marrjen e tij nga Shehu, midis të dyve filloi një luftë e heshtur për atë se kush do të përbënte pikën ku fokusohej gravitacioni i pushtetit efektiv në sistemin e institucioneve të regjimit. Që në vitin 1944 Hoxha ishte përpjekur që ta përqëndronte gravitacionin e pushtetit efektiv tek qeveria, të cilën ai e drejtonte. Kjo ishte dhe një mënyrë efektive për shkak se ai nuk ishte ende Sekretar i Përgjithshëm por vetëm një nga sekretarët e Komitetit Qendror, kështu që në parti nuk kishte atribut të mirëfilltë drejtues. Edhe pas vitit 1948, kur u bë kryeministër, Hoxha e kishte gjetur më konvenuese që gravitacionin e pushtetit ta përqëndronte në qeveri. Në 1954, kur Hoxha lëshoi postin e kryeministrit, ai filloi përpjekjet për zhvendosjen e qendrës së gravitacionit të pushtetit efektiv drejt partisë, zyrës së tij në Komitetin Qendror. Hoxha tash filloi të bëjë të njëjtën gjë për të cilën në historiografinë zyrtare të regjimit qortohet Xoxe:
       Gjithë udhëheqja e Partisë ishte përqëndruar në fakt në duart e Koçi Xoxes, sekretar organizativ i KQ... Por, në të vërtetë Koçi Xoxja, duke përdorur autoritetin e Partisë, përpiqej të shtinte në dorë edhe drejtimin e pushtetit. Ai kishte arritur të krijonte një sistem të atillë që urdhëresat, dekretet dhe ligjet mund të zbatoheshin vetëm pasi të jepeshin udhëzime të veçanta të aparatit të KQ të nënshkruara prej tij. Kjo metodë pune kishte dobësuar shumë rolin e organeve shtetërore, ushqente burokratizmin dhe pengonte zgjidhjen e shpejtë dhe të drejtë të problemeve.[lxv]
      Në fjalorin komunist me fjalën «pushtet», në nivel qendror, nënkuptohej qeveria dhe Kuvendi Popullor. Këtu fjala është se Xoxe donte të shtinte në dorë para së gjithash drejtimin e qeverisë. Në të njëjtën mënyrë edhe Hoxha kërkonte tash që të shtinte sa më tepër që të mundte në dorë edhe drejtimin e qeverisë. Këto përpjekje të Hoxhës do të sillnin kaos në shtet. Shehu u përpoq ta pengonte këtë me sa të mundte Hoxhën në ndërhyrjet që ky bënte në sferën e qeverisë, duke përdorur retorikën e Hoxhës të para vitit 1954. Kur Shehu u bë kryeministër në 1954, kjo gjë koincidoi me një epokë të përmirësimit të gjendjes ekonomike në vend, si pasojë edhe e rritjes së ndihmës sovjetike dhe ndryshimit të investimeve nga industria e rëndë në atë të lehtë dhe në bujqësi. Më pas Hoxha do t’ ua zinte për të madhe sovjetikëve të gjitha këto sugjerime, si sabotime të vetëdijshme, por e vërteta është se ky kurs i ri e çliroi ekonominë e vendit nga pesha e ndërmarrjes staliniane të industrializimit të sforcuar dhe solli një ngritje të mirëqenies (nëse mund të përdoret kjo fjalë në këtë rast) në vend. Edhe masat që u morën në fund të vitit 1953 për zhvendosjen e investimeve në sektorët e ekonomisë, efektin filluan ta japin kur Shehu u bë kryeministër. Nga populli kjo gjë iu atribua Shehut, duke u quajtur Hoxha fajtor për gjendjen e mëparshme. Hoxha i merrte vesh të gjitha këto dhe kjo e shtonte urrejtjen dhe frikën e tij në adresë të Shehut.
      Hoxha, pas dorëheqjes si kryeministër, bëri ndryshime në sekretariatin e Komitetit Qendror, për ta kontrolluar më tepër atë që do të qe tash e tutje qendra e pushtetit të tij. Gjetja e shkakut për ndryshimet ishte një shfaqje e natyrës prej komediani të Hoxhës. Në 14 korrik 1954 Hoxha tha në aktivin e partisë së Tiranës:
       Duhet marrë situata ashtu siç është: në Partinë tonë ka pak punëtorë dhe shumë komunistë vijnë nga rradhët e fshatarësisë dhe të nëpunësëve dhe sjellin mbeturina, të cilat është e domosdoshme t’ i njohim e t’ i shkulim nga rrënjët.[lxvi]
      Ky ishte dhe justifikimi për ndryshimet e bëra dy ditë më parë në sekretariatin e Komitetit Qendror, të cilat i komunikoi Hoxha Plenumit XI, si vendime të Byrosë Politike:
       Të shkarkojë shokun Manush Myftiu dhe shokun Josif Pashko nga funksioni si sekretarë të Komitetit Qendror dhe t’ i emërojë ata në funksione të tjera të rëndësishme shtetërore
Të zgjedhë shokun Gogo Nushi si sekretar të Komitetit Qendror.[lxvii]
      Manush Myftiu ishte fshatar dhe intelektual sipas standardeve të PPSH, ndërsa Josif Pashko ishte fshatar dhe gjysmëintelektual. Gogo Nushi ishte punëtor. Hoxha e shikonte Manush Myftiun si njeri të pabesueshëm për ta pasur në sekretariatin e Komitetit Qendror, si krahun e tij të djathtë, ndërsa Josif Pashkon e shikonte si njeriun e Shehun. Hoxha i besonte më tepër Gogo Nushit, i cili shkonte keq me Shehun, aq më tepër që ky e kishte poshtëruar në Kongresin I, kur e kishte qortuar se nuk lexonte asnjë libër. Sigurisht që Hoxha, tashmë që nuk e kishte më postin e kryeministrit, do të mbështetej më shumë edhe tek kancelaria e tij sekrete, Sektori i Përgjithshëm i Komitetit Qendror.
      Ndryshimet në udhëheqjen komuniste në vitin 1954 do ta ndërlikonin edhe më tepër çështjen e drejtimit të ekonomisë së planifikuar. Hoxha, edhe pasi lëshoi postin e kryeministrit, e kishte për zemër që rolin e Sekretarit të Parë ta përziente me atë të  kryeministrit të vendit me ekonomi të planifikuar, çka do të thotë që të ndërmerrte shëtitje në labirintin e ekonomisë së planifikuar, duke eksploruar skutat e saj. Në shtator 1954, Hoxha do të diskutonte në mbledhjen e Byrosë Politike për çështjen e ambalazheve:
       Ose për frutat dhe zarzavatet që i lëmë derisa prishen për shkak se nuk ka ambalazhe e transport. Po të ketë ambalazh, fshatari nuk e lë rrushin ose fikun t’ i kalbet, pse kjo nuk është në interesin e tij, po puna është që ai nuk ka ose ka fare pak shporta, kanistra, kosha e kazana. A janë këto mjete të nevojshme për të tërhequr mallrat nga fshati? Mua më duket se po. Megjithëkëtë, nuk merren seriozisht dhe nuk ka inisiativë as nga Partia, as nga kooperativat e shitblerjes, po pritet derisa dërrasat të vijnë nga sharrat.[lxviii]
      Hoxha nuk e kishte aspak hallin se nuk kishin shporta e kanistra fshatarët, se ai ishte aq i zgjuar sa ta kishte kuptuar tashmë se ekonomia e planifikuar ishte një enigmë prej sfinksi që shtronte enigma të pazgjidhshme dhe si ndëshkim zhdukte prodhimet e shoqërisë socialiste. Hoxha e kishte hallin që të krijonte përshtypjen se ai e kishte çdo gjë nën kontroll. Tashmë që Shehu ishte bërë kryeminister, Hoxha e kishte këtë gjë një obsesion dhe duke dashur ta tregonte këtë, do të krijonte skena qesharake, si ajo kur Sekretari i Parë foli për mataratë, në shtator 1954, në mbledhjen e Byrosë Politike:
       Një fshatari që ka disa dele duhet t’ i krijojmë konditat që qumështin e prodhuar prej tyre t’ ja shesë shtetit. Si mund ta sjellë qumështin ai në baxho kur ajo është shumë largo se kur në treg nuk ka matara?[lxix]
      Në libër është shënimi sqarues për fjalën “matara”:
       Enë prej teneqeje që përdoret për transportin e qumështit.[lxx]
      Ishte paradoksale që regjimi, i cili nuk qe në gjendje të prodhonte për fshatarët matara, të cilat qenë prodhuar me shumicë në vend para se të vinte Hoxha në pushtet, kërkonte të ndërtonte industrinë e rëndë në për të cilën Hoxha ankohej se i pengonte udhëheqja sovjetike passtaliniane! Kur Hoxha nuk hynte në detajet e ekonomisë së planifikuar ai krijonte postulate të saj, të cilat do të zbukuronin një antologji ndërkombëtare ku do të qenë grumbulluar thëniet e udhëheqësve komuniste me synimin që të sillen si epigrame tallëse të komunizmit ndërkombëtar. Kështu, Hoxha do të thoshte në mbledhjen e Byrosë Politike në shtator 1954:
       Pra kur vaji është i paktë, të kemi më shumë mish dhe kur mishi është i paktë, të kemi më shumë vaj.[lxxi]
      Sa kohë qe gjallë Hoxha, nuk do të ndodhte asnjëra nga këto gjëra, jo më që të kishte shumë mish dhe vaj. Viti 1954 do të sillte dhe një problem tjetër të madh për Hoxhën, të cilin ai do ta kishte parë vetëm në ëndrrat e veta të makthshme. Në rast se mund të imagjinohet ndonjë ëndërr e frikshme që shihte Hoxha në vitet 1948-1954, është ajo kur udhëheqja sovjetike pajtohet me Titon dhe i kërkon Hoxhës që t’ i kërkojë ndjesë atij për ato që kanë ndodhur mes tyre. Kur atij i dilte gjumi gjatë kësaj ëndrre, qeshte i lehtësuar që gjithçka kishte qenë ëndërr. Por ajo që ndodhi gjatë vizitës së Hoxhës në Moskë, në qershor 1954, ishte një shenjë se ëndrra shpejt do të bëhej realitet. Hoxha shkruan:
       Sinjalin e parë se udhëheqja e re sovjetike po ndryshonte kursin e mëparshëm në drejtim të revizionizmit jugosllav ne e morëm që në qershor të vitit 1954.  Gjatë ditëve të qëndrimit tonë në Moskë udhëheqja sovjetike na dorëzoi një letër të gjatë, të firmuar nga Hrushovi, drejtuar komiteteve qendrore të partive motra, ku na njoftonte mbi përfundimet në të cilat kishte arritur udhëheqja sovjetike për çështjen jugosllave. Megjithëse letra mbante datën 4 qershor dhe ne kishim ditë që ndodheshim në Moskë, bile më 8 qershor kishim bërë edhe bisedimet zyrtare me udhëheqësit kryesorë sovjetikë, problemin shumë të rëndësishëm që ngrinin në këtë letër, ata nuk na e kishin zënë fare në gojë... sipas Hrushovit, meqë Informbyroja mbajti qëndrim të rreptë ndaj Jugosllavisë, kjo e fundit nga inati apo nga qejfi, vajti e iu shit imperializmit, si ajo nusja që për inat të vjehrrës vajti e fjeti me millonanë.[lxxii]
      Por Hrushovi shkruan ndryshe në kujtimet e veta:
       Por nga të gjitha vendet, të cilat u futën në rrugën e ndërtimit të socializmit, politikën më ekstreme antijugosllave e ndiqte Shqipëria. Për një farë kohe kjo i kishte pëlqyer BRSS, që edhe e kishte inkurajuar. Por kur ne vendosëm të ndërmarrim hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, në mënyrë që të hapnim rrugën për kompaktësimin dhe konsolidimin e forcave revolucionare, neve na dëmtonte një pozicionim i tillë i Shqipërisë. Para se të ndërmerrnim hapa konkretë për normalizimin e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, ne u këshilluam me partitë komuniste motra. Tashti nuk më kujtohet se si reagoi njëra apo tjetra, por shumica u solidarizuan me mua. Dhe ne ia arritëm kësaj falë një këmbënguljeje shumë të madhe. Përjashtim bëri Shqipëria. Udhëheqësit e shtetit shqiptar dhe të Partisë së Punës i pritën shumë keq propozimet tona dhe u përpoqën të vërtetojnë se jugosllavët janë njerëz të pandreqshëm, se ata nuk janë komunistë. E tëra kjo shprehej me një duf keqdashës. Veçanërisht u zemërua Enver Hoxha. Ai ka karakter të ashpër dhe kur flet për atë që nuk i pëlqen, fytyrën sikur ia kap ngërçi dhe gati sa s’ kërcet dhëmbët.[lxxiii]
      Kjo bisedë duhet të jetë bërë pikërisht gjatë vizitës së Hoxhës në Moskë, në qershor 1954. Qëndrimi i Hoxhës në këtë rast mund të shpjegohet me atë se ai ka menduar që udhëheqja e re sovjetike donte ta testonte për qëndrimin ndaj Titos pas vdekjes së Stalinit, ndoshta për shkak se dikush nga udhëheqësit shqiptarë kishte spiunuar në Moskë se Hoxha po afrohej me Titon (Hoxha me siguri ka dyshuar për Shehun i cili nuk ishte me të gjatë kësaj vizite në Moskë). Kështu që Hoxha ka dashur të duket një antititoist intrasigjent. Kjo është arsyeja që Hoxha eviton që ta përmendë këtë episod në kujtimet e veta. Intrasigjenca e tij në këtë takim stonon me atë në takimet e ardhshme me Hrushovin, madje edhe me takimin e prillit 1957, kur Hrushovi deshi të largohet nga salla e bisedimeve. Hrushovi thotë më tutje në kujtimet e veta për episodin e qershorit 1954 se u përpoq ta bindte Hoxhën me argumente nga pikëpamja e interesit shqiptar:
       Ne me qetësi ia dëshmuam se duhet që me mirëkuptim dhe urtësi të sillemi ndaj mënyrës sesi ndërtohen marrëdhëniet ndërkombëtare, se normalizimi do të ishte i dobishëm edhe për Shqipërinë, edhe për Jugosllavinë, edhe për tërë kampin socialist. Përse na duhej një izolim i tillë? Duhet pasur parasysh se në Jugosllavi jetojnë shumë shqiptarë, ndonëse nganjëherë, kur iu leverdis, edhe vendet socialiste i shtrembërojnë të dhënat statistikore. Më pas Tito do të më thoshte se në Jugosllavi kishte më shumë shqiptarë sesa në vetë Shqipërinë.[lxxiv]
      Këto fjalë duket se kanë ushqyer më tepër paranojën e Hoxhës duke e bërë atë të bindet përfundimisht se po e testonin, për të parë nëse i shtyrë nga interesi nacional shqiptar ai kishte prirjen të bashkëpunonte me Titon. Në terminologjinë komuniste ky quhej devijim i djathtë i llojit të nacionalizmit borgjez. Prandaj Hoxha është bërë edhe më intrasigjent në kundërshtimin e tij ndaj Hrushovit. Kështu që kojo bisedë e Hrushovit me Hoxhën për marrëdhëniet me Jugosllavinë mund të quhet një komedi brilante keqkuptimesh. Hoxha pretendon në kujtimet se në 1954, Komiteti Qendror i PPSH iu përgjigj udhëheqjes sovjetike me një letër ku shprehte objeksionet e tij për pikëpamjen e re për Jugosllavinë:
       ne i thoshim indirekt Hrushovit se s’ qemë dakord me shpresat dhe iluzionet që ushqente ai tek udhëheqësit jugosllavë e veçanërisht te «shoku Tito», siç filloi ta quante.[lxxv]
      Por kjo letër nuk gjendet në librin «PPSH: Dokumente kryesore, 1948- 1956», Vol 2, i botuar në vitin 1972 (botim zyrtar i regjimit), as përmendet në dy botimet e «Historia e PPSH» të viteve 1968 dhe 1981. Hoxha priti sa vdiqën dy protagonistët, Hrushov e Tito, për të thënë se e ka kundërshtuar afrimin Hrushov-Tito në 1954- 1956. Problemi i Hoxhës ishte se mos e bënin atë caper expiatorius për t’ i dhënë sadisfaksion Titos, meqë Hoxha e kishte bërë me shumë zell rolin e qenit stalinian që leh ndaj Titos. Në korrik 1954 Hrushov iu drejtua Titos me një letër ku i bënte të ditur pikëpamjen e re sovjetike dhe për prishjen fajësoheshin Beria dhe Gjilasi. Tito iu përgjegj në gusht 1954, duke i kërkuar, ironikisht, sipas manualit stalinian të hetimit, që të thellohej për të gjetur shkaqet e vërteta të prishjes. Pra Tito i kërkonte Hrushovit që të dënonte Stalinin. Hrushovi ishte shumë i dëshiruar që të rregullonte marrëdhëniet sovjeto-jugosllave dhe ta bënte Jugosllavinë që të rikthehej së paku në letër në bllokun sovjetik. Këtë Hrushovi e shikonte si çështje që kishte të bënte me autoritetin e tij në komunizmin ndërkombëtar, si një udhëheqës që arrin sukses atje ku dështoi Stalini.
     

4.
«Ne kemi njohur dhe njohim se u mashtruam, ashtu sikundër u mashtruan edhe partitë e tjera komuniste dhe punëtore nga provokacioni i bërë kundër Jugosllavisë nga agjenti i poshtër i imperializmit, Beria».

      Atë çka Hoxha e kishte pritur më kot nga Stalini, që midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë të nënshkruhej një aleancë formale, në formë traktati, që do të siguronte regjimin e Hoxhës nga rreziqet e jashtme, e bëri ironikisht Hrushovi, njeriu kundër të cilit Hoxha më pas do të fliste aq shumë. Në 4 shkurt 1955 Hoxha mori një letër nga Hrushovi ku ky i fundit i bënte të ditur se së afërmi do të nënshkruhej Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera të kampit socialist, duke përfshirë dhe Shqipërinë. Kjo ishte ajo gjë që Hoxha e kishte kërkuar prej dhjetë vjetësh. Ai u përgjigj shumë shpejt, duke thënë se traktati do të ishte:
       një ndihmë jashtëzakonisht e madhe për Partinë dhe për popullin shqiptar nga kërcënimet e çdo armiku të jashtëm.[lxxvi]
      Kjo ishte gjuha e kolaboracionistit. Atë çka do të ishte pushtimi ushtarak sovjetik i Shqipërisë Hoxha e quante shpëtimi i Shqipërisë, kur ishte në fakt vetëm shpëtimi i regjimit të tij. Në mars 1955. Hoxha shkoi në Moskë ku mori pjesë në mbledhjen e sekretarëve të parë të vendeve që do të nënshkruanin Paktin e Varshavës. Në këtë mbledhje pjesëmarrësit u dakorduan për nënshkrimin e traktatit, me gjithë hezitimin e gjermanolindorëve për anëtarësimin e Shqipërisë, se ata mendonin që Shqipëria do të qe kundërfigura e Berlinit, si pikë e dobët e bllokut komunist, dhe Perëndimi do ta përdorte Shqipërin si pikë ku mund të bëhej presion, sa herë kishte krizë në Berlin. Madje Molotovi, i cili atëherë ishte ministër i Punëve të Jashtme:
       insistonte se Shqipëria (dhe Republika Demokratike Gjermane) të mos futet në Paktin e Varshavës se po të preket Shqipëria ne do të na duhet të luftojmë.[lxxvii]
      Molotovi shprehte urtësinë gjeopolitike staliniane, sipas së cilës Shqipëria ishte një pozicion luksi ideologjik, për të cilën nuk ia vlente të paguaje çmim për ta mbajtur. Në mbledhjen e Byrosë Politike në 24 tetor 1957, kur u mor vendimi për bazën e Vlorës, Hoxha u shpreh se:
       Molotovi pati qenë kundër edhe për futjen e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, në 1955, pasi në rast se do të sulmohej Shqipëria, Bashkimit Sovjetik do t’ i duhej që të luftonte për të.[lxxviii]
    Kundërshtimi i Molotovit për futjen e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës vinte për shkak se diplomati me eksperiencë e kuptonte se me futjen e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, në mënyrë të natyrshme do të shkohej deri tek dislokimi i forcave sovjetike në Shqipëri, çka do të shkaktonte reagimin e ashpër perëndimor. Molotovi në 1955 e kuptonte mirë se mbrojtja e Shqipërisë qe një aventurë e kotë nga pikëpamja strategjike, pasi Shqipëria nuk kufizohej me vendet e tjera anëtare të Traktatit të Varshavës, duke qenë se ndahej prej tyre nga dy vende të lidhura me SHBA-t, Greqinë dhe Jugosllavinë. Në rast të tensionimit të situatës, kur sigurisht që Turqia do të mbyllte Dardanelet dhe Spanja Gjibraltarin, duke nxjerrë pretekste të kota, por në realitet për mos të lejuar flotën sovjetike që të hynte në Mesdhe, Bashkimi Sovjetik nuk do të qe në gjendje që të furnizonte Shqipërinë dhe forcat e veta atje me armatime dhe sendet e tjera të nevojshme.  
      Ishte në destinin e Tarasit-Herman, që kur kujtonte se po fitonte me kombinacionin magjik të letrave, t’ i shfaqej fytyra ndëshkuese e konteshës plakë në letrën fituese. Hoxhës kjo gjë i ndodhi në prill 1955 kur doli një komunikatë në revistën e Byrosë Informative ku thuhej se do të mbahej një mbledhje e Byrosë Informative që do të anulonte rezolutën e vitit 1949 kundër PKJ. Hoxha pretendon se Komiteti Qendror i PPSH i çoi një letër Komitetit Qendror të PKBS ku e kundërshtonte këtë vendim, por as kjo letër nuk botohet në librin «PPSH: Dokumente kryesore, 1948- 1956», Vol 2, i botuar në vitin 1972 (botim zyrtar i regjimit). Ajo çka është e sigurt, Hoxha në Kongresin III të PPSH, në maj 1956, deklaroi:
       Partija jonë u solidarizua me rezolucionet e Informbyrosë. Ne kemi njohur dhe njohim se u mashtruam, ashtu sikundër u mashtruan edhe partitë e tjera komuniste dhe punëtore nga provokacioni i bërë kundër Jugosllavisë nga agjenti i poshtër i imperializmit, Beria. Në ato rrethana të vështira që u krijuan, ana jonë i lidhi të gjitha çështjet së bashku: gabimet dhe mosmarrëveshjet që ekzistonin në mes të Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Partisë Komuniste Jugosllave si dhe në mes të dy shteteve tona, fajet dhe krimet e Koçi Xoxes, të bëra kundër partisë dhe shtetit, për të cilat mori dënimin e merituar, dhe provokacionin e madh të kurdisur nga agjenti Beria.
      Në ato rrethana ishte e zorshme për ne të mos i lidhnim së bashku këto tri çështje, por t’ i vlrësonim si duhej, veç e veç. Ky është një gabim nga ana jonë. Më vonë llogjika e luftës kundër njëri tjetrit na çoi në gabimet që të përdorim akuzat e pathemelta të kurdisura nga agjenti Beria kundër Partisë Komuniste Jugosllave dhe shtetit jugosllav, të akuzonim Jugosllavinë si një vend armik dhe vegël të imperializmit, partinë komuniste Jugosllave si një parti fashiste dhe udhëheqësit jugosllavë si antimarksista etj. Këto akuza ishin të padrejta, ana jonë ka gabuar për këto çështje. [lxxix]
      Kjo ishte frazeologjia e komedianit të paturpshëm. Në fakt ky justifikim mund të vlente për proceset e Budapestit, Pragës, Sofjes, Varshavës ku të dënuarit u akuzuan si njerëz të Titos të lidhur me spiunazhet perëndimore, por në procesin e Tiranës ndaj Xoxes nuk pati akuza të tilla se gjyqi filloi dhe përfundoi para rezolucionit të Byrosë Informative të nëntorit 1949 që e akuzonte udhëheqjen jugosllave si agjenturë të imperializmit amerikan. Gjithsesi, Hoxha me këtë shpresonte që ta hidhte rrezikun, duke ndjekur kursin e ri sovjetik dhe duke mbetur në pushtet. Në rrethanën e krijuar, dy të goditurit prej Shehut, Jakova dhe Spahiu, menduan se erdhi koha e revanshit dhe i propozuan Hoxhës që në frymën e pikëpamjes së re të Moskës për prishjen sovjeto-jugosllave të bënte fajtor Shehun për prishjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, dhe për falsifikimin e provave me të cilat u fajësua Xoxe. Ideja kishte dalë nga mendja diabolike e Spahiut, i cili llogariste kështu që të shfajësohej për rolin e tij në procesin ndaj Xoxes, ku kishte qenë prokuror. Me sa duket Spahiu ishte gati që të bënte prokurorin edhe në procesin ndaj Shehut.
      Në çdo rrethanë tjetër Hoxhës sigurisht që do t’ i konvenonte eliminimi i Shehut, por në atë rrethanë ai nuk i shikonte gjërat kaq thjesht sa Spahiu dhe Jakova. Hoxha e kuptonte se rënia e rezolucioneve të Byrosë Informative do të çonte në reabilitimin e të dënuarve si titoistë në gjyqet-spektakël të bëra në kryeqytetet e vendeve satelite sovjetike, dhe se do të kishte shumë presion që kjo të bëhej dhe në Shqipëri me Xoxen. Nëse ndodhte kjo atëherë do të binte Hoxha. Ky e dinte se në udhëheqjen shqiptare, do të thotë në Byronë Politike, pothuajse të gjithë qenë të gatshëm që nëse mbështeteshin nga sovjetikët të bënin kauzë të tyre reabilitimin e Xoxes, çka do të çonte në rrëzimin e Hoxhës, si përgjegjësi kryesor për dënimin e tij. Rënia e vendimeve të Byrosë Informative dhe perspektiva e reabilitimit të Xoxes shqetësonte po aq sa Hoxhën edhe një njeri në udhëheqjen shqiptare, Shehun. Nëse Hoxha do të bëhej caper expiatorius në pajtimin Hrushov-Tito, ai do të shkonte të flijohej në çift, së bashku me Shehun. Hrushovi thotë në kujtimet se Xoxes i kishte ardhur vdekja ngase Shehu e kishte mbytur me duart e veta.[lxxx]
      Sigurisht që Hrushovi ishte i mirëinformuar për këto gjëra. Shfaqja befas e fantazmës hakmarrëse të Xoxes, këtë herë e mbështetur nga Hrushovi, në shtator 1954 bëri që Hoxha dhe Shehu të bëhen përsëri aleatë, si gjatë kohës kur rrezikoheshin nga Xoxe i gjallë. Nëse Hoxha ishte «Stalini» shqiptar, Shehu ishte «Beria» shqiptar. Fati i Berias, i cili pasi komplotoi, sipas shumë gjasave, për eliminimin e Stalinit, u eliminua edhe vetë, e shkurajonte Shehun për të ndërmarrë ndonjë përpjekje për eliminimin e Hoxhës.
      Hoxha dhe Shehu tash qëndronin shpinë në shpinë gati për të pritur rrezikun ngado që të vinte. Në ato rrethana, një aleancë mes Hoxhës dhe Shehut bënte që të balanca e fuqisë së udhëheqjes së regjimit të anonte krejtësisht nga ana e tyre, dhe të mos kishte asnjë forcë, apo kombinim forcash që t’ i kundërbalanconte. Një sfidues mund të bëhej i rrezikshëm me mbështetjen e sovjetikëve, duke u pompuar prej tyre. Por këta nuk kishin shumë zgjedhje në udhëheqjen aktuale shqiptare për të gjetur një kandidat për të zëvendësuar Hoxhën, i cili të plotësonte kriteret. Kriteret qenë që ai të ishte musliman, nga Shqipëria e Jugut, baza e regjimit, të kishte njëfarë karizme,  njëfarë të shkuare luftarake partizane, të ishte relativisht i njohur në vend dhe me njëfarë autoriteti, si dhe të kishte qenë disi i mënjanuar pas prishjes së marrëdëhnieve me Jugosllavinë, në mënyrë që të luante rolin e atij që do të dënonte Hoxhën dhe Shehun. I vetmi kandidat me njëfarë vlere ishte Kapo. Hoxha dhe Shehu e kuptuan këtë gjë. Në këtë pikë u krijua një situatë e çuditshme, si në përrallat kineze, kur dy njerëzit më të fuqishëm në vend, qëndronin si dy ujqër gjithë frikë dhe kërcënim, përballë «majmunit» pas të cilit qëndronte «luani».
      Hoxha vuri re se sovjetikët kishin filluar që ta pomponin Kapon, i cili kishte një bazë fuqie personale dhe ashtu i pompuar pritej të bëhej shumë i rrezikshëm. Shembulli i Xoxes i cili nga një pothuajse nulitet, ashtu i pompuar nga jugosllavët u bë shumë i rrezikshëm, ishte mjaft instruktiv për Hoxhën. Në këtë rast kush do ta zhvillonte betejën me Kapon për llogari të Hoxhës? Kjo nuk ishte një gjë e thjeshtë se Kapo ishte nga Vlora ndaj së cilës Hoxha ishte shumë i ndjeshëm. Ylli i Hoxhës ishte ngritur pikërisht në Vlorë gjatë spastrimit të atij që u quajt fraksioni i Vlorës dhe Hoxha qe aq supersticioz sa të kishte frikë se dhe rënia do të vinte prej andej. Betejën kundër Kapos duhet ta zhvillonte një tosk, por ky nuk duhet të ishte gjirokastriti Spahiu (aq më pak shkodrani Jakova). Aq më tepër kur Spahiu kishte qenë prokuror në procesin ndaj Xoxes, për të cilin Hoxha tash pretendonte se qe mashtruar. Jo, Spahiu ishte një kartë e djegur tashmë për Hoxhën.
      Më i përshtatshmi për një betejë të pritshme me Kapon ishte Shehu, krahina e origjinës të së cilit, Mallakastra, ishte afër Vlorës si gjeografikisht ashtu dhe në aspekte të tjera. Shehu kishte pasur lidhje të forta gjatë luftës me Vlorën, duke qenë numri dy i komitetit qarkor të partisë, ku numri një ishte pikërisht Kapo. Për Shehun Hoxha mund të ishte i sigurt se nuk do të bënte kurrë aleancë me Kapon, se Shehu e dinte që nëse Kapo eliminonte Hoxhën me ndihmën e sovjetikëve dhe të atij, në një spastrim antistalinian, atëherë sigurisht që do ta çonte dhe atë Shehun pas Hoxhës. Kështu që Hoxha vendosi që në vend që të të zbatojë planin e tyre për eliminimin e Shehut, të eliminojë përfundimisht Jakovën. Por Hoxha në fillim e kurseu Spahiun. Hoxha priste që Shehu ta shikonte qëndrimin e tij si një provë sinqeriteti nga aleati i tij i ri. Situata të tilla rreziku e bënin shumë të ndjeshëm Hoxhën, ashtu siç ndodhte me Stalinin. Instinkti politik i kultivuar i nxiste që në situata të tilla të bënin shembuj ndëshkimi në udhëheqje, në mënyrë që të shkurajonin çdo rebelim nga të tjerët. Në 1955 këtë fat e patën Jakova dhe Spahiu, dy ish-aleatët e tij më të afërt. Në 25-27 prill 1955 u mbajt Plenumi XIII i Komitetit Qendror, ku Hoxha në fjalën e mbylljes atakoi Jakovën. Por edhe Spahiu nuk do të shpëtonte, sepse ai u spiunua nga Manush Myftiu në Byronë Politike dhe Hoxha nuk mund ta mbronte më. Mbi këtë çështje Hoxha do të thoshte në Plenumin XIV të Komitetit Qendror, në 15 qershor 1955:
       Rastësisht Bedriu i tha shokut Manush Myftiu pas seancës së fundit të Plenumit të Prillit të KQ, se Tuku kishte biseduar me atë për këto çështje. Menjëherë, për këtë gjë, shoku Manush, i raportoi Byrosë Politike. Edhe pasi Plenumi i Prillit ja ngarkoi Byrosë Politike të analizonte dhe t’ ja përgatiste Komitetit Qendror Çështjen e Tuk Jakovës, shoku Bedri Spahiu as që kërkoi të vinte në dijeni Byronë Politike për çka ai dinte për këtë punë dhe ta ndihmonte Partinë. Shoku Bedri heshti derisa vetë Byroja u detyrua ta thërriste. Pra shoku Bedri heshti në plenum dhe më pas ai as që mori inisiativën t’ ja raportonte Byrosë Politike bisedimet që ka pasur me Tukun.[lxxxi]
      Pra, Hoxha bëri të ditur se as anëtarët e Byrosë Politike nuk mund të bisedonin diçka mes tyre lirisht, dhe kur dikush prej tyre guxonte t’ i thoshte diçka shokut, ky kishte detyrimin që të spiunonte. Mendoni pastaj për qytetarët e thjeshtë të vendit. Episodi i mësipërm ndodhi në kohën që mbahej Plenumi XIII (25-27 prill 1955) dhe ky e ngarkoi Byronë Politike të KQ të PPSH të analizonte qëndrimin e Spahiut përveç atij të Jakovës. Për këtë gjë do të mblidhej një plenum tjetër në qershor. Në ndërkohë maji do të kishte për Hoxhën dy ngjarje të kundërta, një të makthshme dhe një të shumëpritur, sipas destinit të tij prej Tarasi-Herman. Në 26 maj Hrushovi shkoi në Beograd, në një vizitë të bujshme. Hoxha, në kujtimet e veta, e konsideron vizitën e Hrushovit në Beograd si vajtje në «Kanosa». Por në Kongresin III të PPSH, në maj 1956, Hoxha do të thoshte për vizitën e Hrushovit në Beograd, në maj 1955:
       Populli shqiptar dhe Partija e Punës përshëndetën me enthusiazëm dhe aprovuan plotësisht deklaratën e Beogradit të nënshkruar në mes të udhëheqësve të shtetit sovjetik dhe të shtetit jugosllav në qershor 1955 dhe u gëzuan shumë për normalizimin e marrëdhënieve midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë. Po këtë rrugë të normalizimit e të përmirësimit ndoqën edhe marrëdhëniet e popullit tonë dhe të popujve të vendeve të tjera të demokracisë popullore me vendet e Jugosllavisë. Ky ishte një sukses i madh për vendet tona dhe një dështim për planet e imperializmit dhe të agjentit të tij, Beria, i cili shkaktoi përçarjen e hidhur të vendeve tona me Jugosllavinë motër.[lxxxii]
      Hoxha, më tutje, në raportin e vet në Kongresin III do të deklaronte se me vizitën e Hrushovit në Beograd kishte ardhur dhe pika e kthesës në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave:
       Deklarata e Beogradit ka qenë një kthesë rrënjësore edhe në marrëdhëniet e shtetit tonë me Jugosllavinë. Marrëdhëniet në mes Partisë Komuniste Shqiptare dhe Partisë Komuniste Jugosllave kanë qenë, siç dihet, shumë të përzëmërta që para çlirimit. Pas çlirimit u vendosën në mes shteteve tona marrëdhënie më të gjëra. Gjatë kësaj kohe në këto marrëdhënie u vërtetuan shtrembërime parimore që duhej të ndreqeshin në rrugë normale. Po për fat të keq këto nuk u ndreqën. Duhet theksuar se, me gjithë këtë, partija jonë, jo vetëm që nuk vuri në dyshim miqësinë me Jugosllavinë, por u përpoq me të gjitha forcat, deri në çastin e fundit, që të mos cënoheshin miqësija dhe marrëdhëniet e lidhura.[lxxxiii]
      Hoxha pohonte kështu botërisht tetë vjet pas prishjes së marrëdhënieve, se kishte qenë Jugosllavia ajo që ishte prishur me Shqipërinë dhe jo e kundërta. Tash Hoxha, pasi kishte thënë të gjitha të këqijat për udhëheqjen jugosllave duke e quajtur fashiste, agjenturë të imperializmit, trockiste, do të deklaronte:
       Tani çdo gjë është e qartë, partija jonë i njohu gabimet e anës së saj, pse i analizoi objektivisht dhe ajo është e vendosur që e kaluara e hidhur të varroset dhe nuk egziston më asnjë pengesë për forcimin e miqësisë së sinqertë në mes dy shteteve dhe partive tona. Ne jemi të sigurt se një miqësi e tillë në frymën marksiste-leniniste dhe në bazë të deklaratës së Beogradit do të zgjerohet dhe do të forcohet vazhdimisht. Ne na bashkon lufta heroike çlirimtare që bëmë së bashku, na bashkon qëllimi i përbashkët i ndërtimit të socializmit në vendet tona, na bashkojnë idetë e pavdekëshme të marksizëm-leninizmit që frymëzojnë partitë tona, na bashkon lufta e përbashkët kundra lakmive të imperialistëve dhe armiqve të popujve tanë që kërkojnë të na fusin në grindje dhe të na përçajnë.[lxxxiv]
      Hoxha po përgënjeshtronte kështu me lehtësi prej komediani ato që kishte thënë gjatë viteve të kaluara. Hoxha do të zgjidhte pikërisht kohën kur Hrushovi gjendej në Beograd për të bërë ratifikimin e Traktatit të Varshavës nga Kuvendi Popullor. 28 maji i vitit 1955 ishte dita e kur kolaboracionizmi shqiptar prosovjetik firmoi pushtimin sovjetik të Shqipërisë. Në këtë ditë u mbajt seanca e jashtëzakonshme të Kuvendit Popullor për ratifikimin e Traktatit të Varshavës, i cili ishte nënshkruar pak ditë më parë nga kryeministri Shehu. Në seancë fjalimin e mbajti Hoxha i cili tha:
       Partia jonë me politikën e saj të drejtë i ka thënë kurdoherë popullit se Shqipëria kurrë nuk ka qenë e izoluar, se kush prek Shqipërinë, prek kampin tonë të socializmit dhe të paqes. Disa mendjeshkurtër mendonin dhe propagandonin se këto ishin vetëm fjalë. Miqësia dhe vëllazërimi i popullit tonë me popujt e Bashkimit Sovjetik dhe të demokracisë popullore janë një realitet i çelnikosur nga leninizmi. Traktati i miqësisë, i bashkëpunimit dhe i ndihmës reciproke nuk është veçse shprehja de jure e këtij realiteti të shkëlqyer.[lxxxv]
      Fakti ishte se Hoxha me këtë pohoi se deri atëherë Shqipëria kishte qenë e izoluar dhe e pambrojtur derisa nuk kishte pasur një aleancë formale mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë. Më tutje, Hoxha do të bënte një hiperbolë:
       Çdo shqiptar, po ta pyesësh sot, të thotë se ne jemi mbi 900 milion dhe nuk thotë më njeri se jemi një milion. Armiqtë pra, le të mendohen shumë përpara kësaj force kolosale, përpara këtij muri të çelniktë ku do të thyejnë kokën të gjithë ata që do të tentojnë ta prekin. Ëndrrat e armiqve mbi Shqipërinë kanë mbaruar. Shqipëria sot ka zot dhe ecën përpara.[lxxxvi]
      Hoxha e llogariste këtu Shqipërinë, jo vetëm së bashku me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera europianolindore anëtare të Traktatit të Varshavës, por edhe së bashku me Kinën komuniste, e cila në fakt nuk ishte anëtare e Traktatit të Varshavës. Kjo ishte njëlloj sikur ata që i çuan kurorën Victor Emanuelit në 1939 të thoshin se Shqipëria tashmë ishte 60 milion, së bashku me perandorinë italiane! Në të vërtetë qenë sovjetikët ata që mendonin se tashmë qenë 600 milion, duke llogaritur perandorinë e tyre të zgjeruar, ku një cep qe dhe Shqipëria. Por vetë Hoxha ndihej i izoluar. Hrushovi, nga Beogradi, shkoi të vizitonte vendet aleate ballkanike me përjashtim të Shqipërisë. Në 3 qershor 1955 delegacioni sovjetik me Hrushovin në krye nga Beogradi shkoi në Sofje, ndërsa në 4 qershor nga Sofja shkoi në Bukuresht. Qëndrimi i Hrushovit në Bukuresht ishte për Hoxhën edhe më i hidhur se qëndrimi në Beograd, se Bukuresht patën ardhur për t’ u takuar me Hrushovin edhe udhëheqësit e Hungarisë dhe të Çekosllovakisë. Ajo që ra në sy ishte se Hrushovi shkoi në dy vende socialiste që kufizoheshin me Jugosllavinë dhe ftoi në Bukuresht udhëheqësit e një vendi tjetër që kufizohej me Jugosllavinë, Hungarisë. Nuk u ftuan udhëheqësit e të vetmit vend tjetër socialist që kufizohej me Jugosllavinë, Shqipërisë. Kjo gjë duhet ta ketë shqetësuar shumë Hoxhën se ka menduar që Tito i ka kërkuar Hrushovit dhe ka marrë pranimin e këtij të fundit për largimin e Hoxhës nga pushteti. Megjithatë Hoxha iu bind Hrushovit. Bashkëshortja e tij, Nexhmije Hoxha shkruan në kujtime e veta:
       Pas vajtjes së Hrushovit në Beograd, ne na u kërkua të përmirësonim marrëdhëniet me Jugosllavinë. Na u sugjerua nga ambasada sovjetike që të shkonim në pritjen e Legatës jugosllave në Tiranë, me rastin e festës kombëtare të Jugosllavisë, të përvjetorit të mbledhjes së Avnoj-t, që i binte më 29 nëntor, por që ata e festonin gjithmonë dy ditë para sepse ne kishim festat tona. Dhe shkoi atje e gjithë udhëheqja e lartë e Partisë dhe e shtetit.[lxxxvii]
      Pra, marrëdhëniet tashmë qenë jo vetëm shtetërore por edhe partiake, domethënë ideologjike. Në ndërkohë Hoxha vazhdonte të bënte, ndonëse me kujdes, spastrimet e planifikuara. Në mes të qershorit Hoxha mblodhi Plenumin XIV të Komitetit Qendror, të planifikuar për eliminimin e Jakovës dhe Spahiut. Në plenum Hoxha tha:
       Tuku e Bedriu nuk kanë qenë kurrë marksistë-leninistë.[lxxxviii]
      Është sa e habitshme aq edhe domethënëse që Hoxha e thotë këtë gjë për dy udhëheqës të cilët për një kohë të gjatë kishin mbajtur poste të larta në hierarkinë e regjimit, duke qenë anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qendror dhe ministra! Nëse këta të dy nuk kishin qenë kurrë marksist-leninistë, çfarë ishte partia që zgjidhet njerëz të tillë në udhëheqjen e saj? Meqënëse akuza e mësipërme nuk dukej serioze, atëherë Hoxha tregoi një talent prej komediani në hairsplitting, duke thënë:
       Interesimin kaq të madh të Tukut për artizanatin duhet ta shpjegojmë edhe teorikisht. Pse Tuku është më shumë i interesuar për artizanët, se sa për klasën punëtore dhe për zhvillimin e bujqësisë? Sepse në parim Tuku ka akoma pikëpamje trockiste, deviatore, oportuniste të cilat që të gjitha janë antimarksiste. Ai mbështetet kryesisht te artizanët, te borgjezia e vogël dhe jo te klasa punëtore dhe aleanca e saj me fshatarësinë.[lxxxix]
      Në përfundim të plenumit Hoxha bëri ritualin e spastrimeve:
       Kush është që Tuku të përjashtohet nga Komiteti Qendror dhe nga funksionet e sotme shtetërore, por të qëndrojë anëtar partie dhe për një kohë të pacaktuar të mos ketë asnjë post drejtues në Parti.[xc]
      Në fund të faqes është ky shënim sqarues:
      Të gjithë anëtarët e plenumit janë dakord.[xci]
      Gjashtë ditë më pas, në 23 qershor Jakova u dëbua nga Tirana dhe u vendos me banim të detyruar në Berat, së bashku me familjen. Atje i dhanë punë si marangoz- një ironi e Hoxhës kjo, se ky ishte profesioni i Jakovës. Shpejt ai do të arrestohej për të vdekur në burg katër vjet më pas. Së bashku me Jakovën në këtë plenum do të eliminohej edhe Spahiu, i cili gjithashtu do të përfundonte në burgje e internime për mbi tre dekada. Në qershor 1955 Hoxha do të kujtohej që të arrestonte edhe Ymer Dishnicën, i cili gjendej në Berat, ku punonte mjek në spitalin e qytetit. Ymer Dishnica u dënua me gjashtë vjet burg për agjitacion e propagandë, për t’ u liruar pas një viti, me shumë gjasë si rezultat i një letre misterioze që i shkroi Hoxhës.
      Në vitin 1955 Hoxha do të mbështeste krejtësisht politikën ndërkombëtare sovjetike të cilën më pas do ta kritikonte fort. Në Kongresin III të partisë, në maj 1956, Hoxha do të thoshte për Konferencën e Gjenevës, të korrikut 1955:
       Populli shqiptar përshëndeti Konferencën e Gjenevës të kryetarëve të katër fuqive të mëdha dhe dëshiron që fryma e Gjenevës për zgjidhjen e drejtë të çështjeve ndërkombëtare të vazhdohet edhe më tej.[xcii]
      Hoxha në atë kohë do të miratonte dhe atë që më pas do të ishte një nga gjërat që kundërshtonte më tepër, sistemin e sigurisë europiane:
      Vendosja e një sistemi të mbrojtjes kolektive në Evropë të propozuar nga Bashkimi Sovjetik, dhe të mbështetur fuqimisht nga shtetet e demokracisë popullore dhe njerëzit me vullnet të mirë e paqësorë të Evropës, e të gjitha kontinenteve, por rrënjoset thellë në ndërgjegjen e njerëzve, sepse është i vetmi mjet i fuqishëm për të shpëtuar njerëzimin nga një luftë tjetër.[xciii]
      Në aspektin juridik, një luftë tjetër botërore kishte nisur në 28 maj 1955 ditën që Shqipëria ratifikoi Traktatin e Varshavës, që pati si pasojë atë që mund të quhet një nga çuditë më të mëdha të kohës së Luftës së Ftohtë, që dy vende, nga të cilët njëri anëtar i NATO (Greqia) dhe tjetri i Traktatit të Varshavës (Shqipëria) qenë formalisht në gjendje lufte, për shkak se vazhdonte të ruante gjendjen e luftës me Shqipërinë, që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Sipas termave të dy aleancave të mëdha, NATO ishte në gjendje lufte me Shqipërinë, për shkak të Greqisë edhe për pasojë me Traktatin e Varshavës dhe e kundërta. Gjithsesi, kufiri greko-shqiptar tashmë shndërrohej në një pikë veçanërisht të nxehtë takimi mes dy aleancave. Prandaj Moskës i interesonte që të normalizoheshin marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë. Si rezultat i frymës së Gjenevës, regjimi i Hoxhës ndërmori hapa të paprecedent për përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë. Në qershor 1955 kryeministri Shehu deklaroi në mbledhjen e Byrosë Politike se nga Moska u ishte thënë që në pajtim me frymën e re ndërkombëtare që ishte krijuar, qeveria shqiptare duhet t’ i kërkonte asaj greke që midis dy vendeve të vendoseshin marrëdhënie diplomatike.[xciv]Në të vërtetë, për normalizimin e marrëdhënieve me Greqinë, nuk ishte e nevojshme që Hoxhën ta nxiste Moska. Ndryshe nga rasti i Jugosllavisë, Hoxha e dëshironte tepër normalizimin e marrëdhënieve me Greqinë se i trembej shumë një invadimi nga Greqia. Në linjën politikës së mësipërme, në 30 qershor 1955 Ministri i jashtëm Behar Shtylla i çoi një telegram sekretarit të përgjithshëm të OKB, ku i kërkonte të ndërmjetësonte pranë qeverisë greke për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.[xcv]
      Por Greqia do të refuzonte uverturat shqiptare dhe kjo do të bëhej me sa dukej një nga arsyet që Bashkimi Sovjetik do të vendoste të braktiste Shqipërinë disa vjet më pas, duke e parë si një ndërmarrje me rrezik të tepruar, që e implikonte Traktatin e Varshavës në një luftë të befasishme me NATO-n. Gjithsesi hyrja në Traktatin e Varshavës çoi në legalizimin ndërkombëtar të regjimit komunist. Perëndimi nuk mund t’ ia lejonte më vetes luksin që të refuzonte anëtarësimin e Shqipërisë komuniste në OKB, në një kohë që vendi ishte tashmë anëtar i Traktatit të Varshavës. Kjo ishte arsyeja kryesore që Shqipëria komuniste u pranua në OKB në fund të vitit 1955. Por kjo nuk do të thotë se anëtarësimi i Shqipërisë në OKB ishte meritë e Bashkimit Sovjetik apo e regjimit të Hoxhës. Ky i fundit, duke e armiqësuar Shqipërinë me Perëndimin dhe duke e lidhur me Bashkimin Sovjetik, kishte vënë në diskutim subjektivitetin ndërkombëtar të vendit të siguruar që me krijimin e shtetit shqiptar. Shqipëria hyri në OKB jo ashtu siç e meritonte, por si një vend i pushtuar nga Bashkimi Sovjetik- ky ishte relativizmi i Luftës së Ftohtë që Shqipëria e provoi falë Hoxhës. Për këtë të fundit gjërat qenë në rregull sa kohë që ai ishte në udhëheqje të vendit, si kolaboracionist sovjetik.
      Si i tillë Hoxha u nis për pushime në Bashkimin Sovjetik në verën e vitit 1955. Ai shkruan në kujtimet:
       Kësaj rradhe më kishin vendosur për banim në një vilë jashtë Moskës, që siç më thanë, kishte qenë e Stalinit.[xcvi]
      Në retrospektivë të pas disa muajve, kur do të kishte ndodhur Kongresi XX dhe dënimi i Stalinit, Hoxha do të gjente një simbolikë shqetësues në këtë detaj të vizitës së tij në Bashkimin Sovjetik atë verë. Në verën e vitit 1955 Hoxha do të qëndronte gjatë me pushime në Bashkimin Sovjetik, nga korriku në shtator. Ai shkruan në kujtimet:
       Pushime u thënçin. 22 ditë rrugë me vapor, me tren e me avion, biseda të gjata, shpesh të mërzitshme e, në raste të veçanta edhe presione (nuk gaboj që i quaj kështu), për të na detyruar të ndryshojmë mendim e qëndrim ndaj titistëve.[xcvii]
      Hoxha tashmë e kishte kuptuar se Moska e kishte seriozisht pajtimin me Titon dhe ishte i gatshëm që të bindej për këtë gjë, por si një Taras-Herman, kërkonte siguri se ai nuk do të ishte një nga caper expiatorius të pajtimit. Një nga udhëzimet që i dhanë Hoxhës këtë herë në Moskë ishte shkurtimi i personelit të ushtrisë dhe organeve të punëve të brendshme të mbingarkuar gjatë mbimilitarizimit të vendit. E gjithë kjo do të bëhej sipas kursit të ri sovjetik. Moska, si shenjë e vullnetit të mirë për ta bërë të përhershme frymën e Gjenevës, në gjysmën e dytë të vitit 1955 njoftoi pakësimin e forcave të saj të armatosura, të cilin Hoxha do ta përshëndeste në Kongresin III, në maj 1956:
       Vendimi i kohëve të fundit i qeverisë sovjetike për shkurtimin e forcave të armatosura në 1.200.000 veta, përveç 640.000 vetave që u çmobilizuan vitin e kaluar, është një provë e re konkrete e politikës paqësore të shtetit sovjetik.[xcviii]
      Hoxha, duke zbatuar udhëzimet e Moskës bëri të njëjtën gjë në Shqipëri. Në tetor 1955 ai shkruante në një “Letër udhëzuese drejtuar sekretarëve të parë të Komiteteve të Partisë në qarqe”:
       Partia dhe qeveria kanë marrë vendime për çmobilizimin e 9 mijë vetëve nga forcat e armatosura të Ushtrisë Popullore, nga organet e punëve të brendshme dhe për thjeshtimin e aparatit shtetëror.[xcix]
      Këta qenë oficerë dhe nënoficerë me të cilët qe mbingarkuar ushtria, policia dhe Sigurimi i Shtetit në kohën e mbimilitarizimit të vendit. Por si çdo herë që Hoxha përmirësonte diçka, duke e bërë atë, do të sillte një dëm tjetër. Hoxha urdhëroi që të çmobilizuarit të shtonin radhët e burokracisë së vendit. Në “Letër udhëzuese drejtuar sekretarëve të parë të Komiteteve të Partisë në qarqe”, të tetorit 1955, Hoxha thoshte:
       Mjaft nga kuadrot oficerë kanë një pjekuri të mirë politike, kanë eksperiencë pune dhe besnikëri ndaj kauzës së Partisë e të shtetit tonë, prandaj duhet të mendoni që me këta kuadro të forconi aparatet e Partisë dhe ato shtetërore në qark, rreth e deri në fshat, po ashtu dhe në kooperativat bujqësore e SMT-të dhe të punoni që në të ardhshmen ata të mund të zgjidhen në forumet e organeve të sipërpërmendura.[c]
      Hoxha nuk donte t’ i çonte këta njerëz, shumica e të cilëve qenë ish-partizanë pa shkollë, në punë të thjeshta, se nuk donte t ‘i bënte të pakënaqur në këtë situatë delikate për të. Ai pranonte që të rëndohej administrate, për shkurtimin e së cilës kishte folur disa herë në të shkuarën, mjaft që këta njerëz të qenë të kënqur me të. Hoxha është i vetëdijshëm edhe për problemet e tjera që këta njerëz do të sillnin në administratë, dhe kërkon tolerancë ndaj tyre, kur shkruan në letrën e sipërmendur:     
       Natyrisht, duhet të keni parasysh se ata vijnë nga një ambient ushtarak dhe nuk i njohin hollësitë e natyrës së punës në pushtet e në terren e mund të bëjnë edhe ndonjë gabim të vogël ngaqë nuk i njohin mirë problemet, prandaj është detyra juaj që të mos nxitoheni në marrjen e masave, por me durim e besim t’ i mësoni ata sit ë punojnë në këta sektorë të rinj për ta.[ci]
      Këta njerëz do të binin në administratën partiake dhe shtetërore, në zyrat e ndryshme, që nga komitetet tek ndërmarrjet dhe kooperativat bujqësore si re karkalecash. Ata mendonin se posti që u ishte dhënë qe një kompensim për padrejtësinë që u ishte bërë duke i larguar nga ushtria dhe organet e punëve të brendshme, kështu që u sollën me prepotencë, që shtohej në përpjestim të drejtë me paaftësinë e tyre për të kuptuar problemet në sektorët ku punonin. Kështu që ata i përkeqësuan më tej problemet e administratës dhe ekonomisë së planifikuar. Duket se Hoxhës aq i bënte për këtë, sa kohë që këta njerëz nuk përbënin rrezik për pushtetin e tij.
      Ajo çka të bën përshtypje tek sjellja e Hoxhës në këtë kohë është se ai dyshon shumë tek organet e punëve të brendshme, me të cilat qe treguar aq indulgjent në 1948, pas eliminimit të Xoxes. Në 5 janar 1956 Hoxha bëri veprimin e paprecedent që t’ u dërgonte një letër organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku i paralajmëronte për atë që e quante me eufemizëm «familjaritet»:
       Duhet të kuptoni se familjariteti i sëmurë nuk lind rastësisht, ai ka bazën e vet dhe arrihet kur pajtohen një numër shfaqjesh të dëmshme të një ose më shumë personave, me ato të një ose më shumë personave të tjerë. Zakonisht në fillim ky shfaqet me forma që duken jo shumë të rëndësishme, siç janë pakënaqësia, mendjemadhësia, disharmonia, ryshfeti, tarafi etj., nga të cilat pastaj bëhen të zakonshme lëshimet për njëri tjetrin, dekonspirimet, grindjet, abuzimet e të gjitha këto të këqia, më në fund, të çojnë në kundërshtim me ligjet e shtetit dhe me vijën e Partisë.[cii]
       Është e qartë se Hoxha kishte filluar t’ i trembej Ministrisë së Punëve të Brendshme të drejtuar nga vlonjati Kadri Hazbiu, i cili mund të vihej fare mirë në shërbim të vlonjatit tjetër, Kapo, në rast se për këtë gjë e inkurajonin sovjetikët. Në mënyrë domethënëse Hoxha nuk i kishte qortuar kurrë deri atëherë organet e punëve të brendshme për rryshfete, domethënë për korrupsion. Si gjithmonë, akuza të tilla dilnin si plotësim i akuzave të tjera. Hoxha e dinte se  organet e punëve të brendshme, ashtu si krejt nomenklatura, kishin degraduar në një kastë abuzuese dhe të korruptuar, por kjo nuk i prishte punë, madje e shikonte si një mënyrë për ta mbajtur në fre dhe të kënaqur. Hoxha u bënte të qartë se ai mësonte gjithçka:
       Gjithashtu edhe në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të qarkut të Durrësit dhe në shokët drejtues të Degës së Punëve të Brendshme të Peqinit dhe të Kavajës janë dukur shfaqje të një familjariteti të sëmurë dhe shfaqje të tjera të huaja, të papajtueshme me moralin tonë komunist. Këta shokë, duke e konsideruar veten se janë njerëzit që meritojnë më shumë në rrethin e tyre, ranë në kurthin e matrapazëve, hanin ryshfete, ngrinin shtëpi të mira, merrnin prodhime të disa dynymëve tokë që i punonin krahët e fshatarëve, merrnin stimulacione nga ta, blinin lopë e siguronin komoditete, duke shkarë kështu nga një gabim në tjetrin. Në këtë rrugë dallaveresh, gjithmonë duke shfrytëzuar pozitën që kishin, ata bënin falsifikime procesesh, lëshonin deklarata false për elementë vjedhës, dekonspironin sekretet e shtetit etj.[ciii]
      Në veprën 13 të Hoxhës për këtë çështje gjendet një gjë shumë domethënëse. Në letrën e sipërpërmendur thuhet:
       Raste të shfaqjeve të familjaritetit të sëmurë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të qarkut të Gjirokastrës dhe të Durrësit, janë tipike dhe vërtetojnë në praktikë rrezikshmërinë e këtyre shfaqjeve, duhet të nxjerrim mësime për të mos lejuar që të përsëriten më.[civ]
      Në fund të faqes është shënimi:
      Nga paragrafet e mëposhtme janë hequr emrat.[cv]
      Për gjërat që përmend Hoxha më lart, përgjegjësit duhet të dënoheshin sipas ligjit, por Hoxha nuk kishte ndërmend që ta bënte këtë gjë. Fakti që janë hequr emrat e personave përgjegjës, tregon se këto veprime janë trajtuar me indulgjencë, jo vetëm në rastet e dhëna, por në gjithë vendin, duke qenë tashmë pjesë e sistemit. Hoxha donte thjesht t’ i paralajmëronte njerëzit e organeve të punëve të brendshme se ai vigjilonte edhe mbi ta. Nëse ata ndërmerrnin diçka kundër tij do ta pësonin. Në letrën e mësipërme na zbulohen gjurmët e shërbimit sekret të Hoxhës, të shërbimit personal të tij.
     

5.
Përshpejtimi i kolektivizimit të bujqësisë: Në kushtet aktuale, kur në mjaft kooperativa shpërndahen 40 lekë për ditë-pune, të shikohet mundësia që disa herë të bëhet edhe punë vullnetare. Në këtë mënyrë do të ketë më pak ditë-pune me pagesë, por vlera e tyre do të jetë më e madhe.

      Udhëheqja e re sovjetike, ashtu si Stalini, në fillim nuk ishte marrë seriozisht me ndërtimin e socializmit në Shqipëri. Por pas hyrjes së Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, Moska u detyrua që ta merrte seriozisht ndërtimin e socializmit në Shqipëri. Derisa Shqipëria ishte një vend mbi 80% fshatar, dhe i prapambetur, sovjetikët me ndërtimin të socializmit në Shqipëri kuptonin zhvillimin e bujqësisë, çka në pikëpamjen e tyre do të thoshte që bujqësia të kolektivizohej.
      Përshpejtimi i kolektivizimit të bujqësisë u vendos në Plenumin XVI të Komitetit Qendror, në dhjetor 1955, ku Hoxha tha:
       Ne e kuptojmë rëndësinë që ka kolektivizmi i bujqësisë dhe Byroja Politike ka qenë plotësisht dakord që në pesëvjeçarin e dytë bujqësia të ketë perspektiva të qarta për të zgjeruar kolektivizimin, dhe në rradhë të parë në fusha.[cvi]
      Këto fjalë përgënjeshtronin atë që thoshte propaganda e regjimit se kolektivizimi i bujqësisë bëhej me vullnetin e lirë të fshatarëve. Duke e kuptuar këtë, Hoxha e gjeti të nevojshme të thoshte:
       Disa shokë mund të thonë se duke planifikuar kolektivizimin, mund të shkelim parimin Leninist të vullnetarizmit. Në asnjë mënyrë ne nuk e shkelim këtë parim. Komiteti Qendror ka theksuar se edhe tani që ngremë kooperativa të reja bujqësore duhet të shkojmë në një perspektivë.[cvii]
      Kështu kolektivizmi i bujqësisë në Shqipëri bëhej me vullnet të Leninit, Komitetit Qendror të PKBS, Komitetit Qendror të PPSH, dhe në fund supozohej që ky të ishte dhe vullneti i fshatarit shqiptar! Kolektivizimi i përshpejtuar i bujqësisë që filloi në dhjetor 1955 nuk qe i ngjashëm për nga dhuna e ushtruar ndaj popullsisë me procesin analog në Bashkimin Sovjetik, për disa arsye. E para ishte se kulakët, ndaj të cilëve u drejtua goditja kryesore në Bashkimin Sovjetik gjatë kolektivizimit, në atë kohë në Shqipëri qenë një grupim shumë i vogël, praktikisht inekzistent. Kjo gjë del dhe nga ato që tha Hoxha në qershor 1966, në takimin me kryeministrin kinez  Çu En Lai:
       Më 1955 sipërfaqja e tokës së kulakëve arriti në 1.7 përqind kundrejt gjithë sipërfaqes bujqësore të vendit; prodhimi i drithit në në 1.9 përqind; qetë e buajt në 2200 krerë; lopët në 1900 kokë dhe bagëtia e imët në 20 000 kokë. Më 1955 nga rreth 2000 familje kulake, më tepër se 560 prej tyre nuk kishin asnjë kafshë dhe gjysma e numrit të përgjithshëm dispononin 2 deri tre hektarë dhe jo më shumë se 10 kokë bagëti të imëta.[cviii]
      Sipas shifrave që jep këtu Hoxha del se kulakët dalin të jenë fshatarë të varfër. Këto shifra tregojnë se i gjithë procesi i luftës së klasave në fshat ishte një gjë artificiale, pasi nuk ekzistonin realisht familje që kishin aq pasuri sa të meritonin të quheshin kulakë, sipas modelit sovjetik. Represioni ndaj këtij grupimi prej 2000 familjesh, të cilat në pjesën më të madhe u internuan, ishte një gjë që nuk binte veçanërisht në sy, për shkak të numrit të vogël të tyre, krahasimisht me grupimin homolog në Bashkimin Sovjetik. Arsyeja e dytë ishte se në erën hrushoviane mund të tolerohej represioni i kufizuar ndaj fshatarësisë, por jo terrori. Kështu që Hoxha nuk mund të vepronte si Stalini që pushkatoi pjesën më të madhe të kulakëve dhe familjarëve të tyre në vitet 1929-1931. Pjesa tjetër e fshatarëve, të cilët nuk qenë  kulakë, ashtu si homologët e tyre sovjetikë, nuk e donin kolektivizimin dhe provë për këtë është fakti se deri në 1955, kur u mor vendimi për përshpejtimin e kolektivizimit, asnjë fshat nuk e kishte ngritur vullnetarisht kooperativën, para se këtë gjë ta urdhëronte regjimi. Por në shkallën në të cilën ishte fuqizuar diktatura në vitin 1955, ata e kuptonin se ishte e pamundur që të bënin rezistencë aktive. Kolektivizmi i përshpejtuar i bujqësisë që filloi në dhjetor 1955 ishte në fakt një fushatë e regjimit e mbështetur me një operacion masiv policor. Ata fshatarë që refuzonin të hynin në kooperativën bujqësore shpalleshin kulakë dhe internoheshin.
      Në maj 1956 Hoxha do të thoshte në raportin e vet në në Kongresin III të PPSH, për kolektivizimin e bujqësisë:
       Vendimi i Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, i dhjetorit 1955, është pritur me entusiazëm nga fshatarësia jonë punonjëse. Ajo po futet vullnetarisht në rrugën e kolektivizimit. Që prej daljes së vendimit deri më 15 maj janë ngritur 376 kooperativa bujqësore.[cix]
      Komediani këtu përgënjeshtron vetveten, derisa ai thotë se rritja e numrit të kooperativave që supozohej të qenë vullnetare është bërë pas daljes së vendimit të udhëheqjes. Hoxha, më tutje, në raportin në Kongresin III të PPSH, paraqiti një pasqyrë të detajuar për ecurinë e kolektivizimit të bujqësisë, sipas së cilës dilte se në pesë muajt e parë të vitit 1956 qenë krijuar 376 kooperativa bujqësore me 14 165 familje, çka do të thoshte se numri i familjeve fshatare të kolektivizuara arrinte në 18.94%. Këto kooperativa bujqësore të reja zotëronin  42 498 ha tokë, çka e çonte tokën e kolektivizuar në rang vendi në 26. 16%.[cx]Kështu, vetëm në pesë muajt e parë të vitit 1956, u krijuan më shumë kooperativa bujqësore se ç’ qenë krijuar nga viti 1947, deri në fund të vitit 1955. Për gjatë 8 viteve qëkurse kishte filluar kolektivizimi i bujqësisë, deri në fund të vitit 1955 qenë krijuar 318 kooperativa bujqësore, ndërsa vetëm në pesë muajt e parë të vitit 1956 u krijuan 58 kooperativa bujqësore më shumë se shifra e përgjithshme e tetë viteve. Kjo zbulonte falsitetin e pretendimit se kolektivizimi i bujqësisë bëhej me vullnetin e fshatarëve. Kolektivizimi i përshpejtuar i bujqësisë do të vazhdonte edhe në vitet në vazhdim, derisa në 1960 regjimi do të deklaronte se me përjashtim të zonave të thella malore, kishte përfunduar kolektivizimi në gjithë vendin.
      Kolektivizmi i përshpejtuar ishte një tragjedi për fshatarësinë dhe për ekonominë e vendit në përgjithësi, se bujqësia e kolektivizuar e kishte të nevojshme që të asistohej me teknologji dhe kimikate, të cilën regjimi nuk do të qe kurrë në gjendje që t’ ia siguronte në masën e nevojshme. Shteti komunist, i cili kishte të bënte me një ekonomi të planifikuar e cila në sektorin industrial ishte me humbje, i shikonte ekonomitë kolektive bujqësore si të vetmin burim nga ku mund të nxirrte vërtet të ardhura që kompensonin disi jorentabilitetin e sektorit industrial. Kështu që shteti u mësua që praktikisht ta grabiste fshatarësinë e kolektivizuar. Hoxhë, do të thoshte në mbledhjen e Byrosë Politike në tetor 1965:
       Kooperativa, pasi heq detyrimin ndaj shtetit, ujemin e SMT-së, farën, një sasi mielli për të bërë makarona dhe pasi mban dhe diçka rezervë për çdo familje, llogarit për secilin drithin që i duhet.[cxi]
      Gjatë këtij procesi krijoheshin mundësi të mëdha për abuzim, nga ana e burokracisë së kooperativës bujqësore dhe në fund fshatari merrte nga prodhimi i tij shumë më pak se bujkrobi dikur. Por detyrimet që kooperativat bujqësore kishin ndaj shtetit qenë aq të larta sa kooperativat bujqësore nuk i përballonin dot dhe bënin atë që bënin fshatarët privatë për t’ i shlyer detyrimet regjimit, sipas asaj që i shkruante dikur rreshteri Safet Malaj Hoxhës. Për këtë Hoxha do të thoshte në Plenumin e Komitetit të Partisë të Fierit, në shkurt 1958:
       Disa kooperativa bujqësore shesin kafshët dhe me të gjitha të ardhurat prej tyre shlyejnë detyrimet, kjo nuk është aspak e drejtë se një pjesë e këtyre të ardhurave duhet të shkojnë medoemos në fondin e parekshëm me qëllim që të rriten sigurimet shoqërore.[cxii]
      Derisa sistemi i detyrimeve shtetërore e kishte çuar fshatarin në bujkrobëri, bujqësia e kolektivizuar e çoi atë praktikisht në skllavërinë antike. Këtë gjë do ta pohonte praktikisht vetë Hoxha, kur përpiqej që me talentin e tij prej komediani, të gjente mënyra që, derisa tentonin të krijonin iluzionin e rritjes së mirëqënies së fshatarësisë, zbulonin realitetin e skllavërimit të saj. Kështu, në prill 1959 Hoxha do të thoshte në në mbledhjen e Byrosë Politike, për kooperativat bujqësore:
       Në kushtet aktuale, kur në mjaft kooperativa shpërndahen 40 lekë për ditë-pune, të shikohet mundësia që disa herë të bëhet edhe punë vullnetare. Në këtë mënyrë do të ketë më pak ditë-pune me pagesë, por vlera e tyre do të jetë më e madhe.[cxiii]
      Kjo është me të vërtetë një gjetje prej komediani. Në rast se kooperativistët do të bënin disa ditë në javë punë të papaguar, çfarë ishte puna e ashtuquajtur vullnetare, atëherë kuptohet se vlera e ditës së punës së paguar do të rritej, por kjo ishte njëlloj sikur skllavpronari antik t’ i paguante skllavit në formë rroge shpenzimet që bënte për mbajtjen e tij. E ashtuquajtura «punë vullnetare» në regjimin komunist ishte një eufemizëm për përdorimin e njerëzve si skllevër, pra që bënin punë të papaguar. Partia e Punës mund të quhej fare mirë edhe Partia e Punës së Papaguar. Bujqësia e kolektivizuar tashmë po shndërrohej në një kombinim të bujkrobërisë me skllavërinë.
      Hoxha vetë në shumë raste do të pohonte në mbledhjet e mbyllura të regjimit se kooperativat bujqësore shkonin keq e më keq. Në qershor 1960, ai në takimin me kuadrot e partisë dhe të pushtetit të rrethit të Matit, tha:
       Por kur kooperativa ndan nga 2 kg drithë dhe nga 10-12 lekë për ditë punë kjo tregon se puna atje nuk shkon mirë.[cxiv]
      Fjala është për lekë të vjetër, pra pikërisht për 10-12 lekë, se reforma monetare u bë katër vjet më vonë, në 1964. Me kaq lekë nuk mund të blihej veçse një paketë nga cigaret më të lira në qarkullim. E pastaj kooperativat bujqësore kishin emra të tillë si «Rruga e Bollëkut», në Libonik të Korçës, të cilën Hoxha e vizitoi në 1958.
      Në fakt fshatarësia reagoi ndaj kolektivizmit të bujqësisë me atë që mund të mund të quhet bojkot. Fshatarët e shikonin punën në kooperativë si një punë të detyruar angari, të cilët i shmangeshin sa më tepër që të mundnin, për t’ u marrë me parcelën e vogël personale të tokës që u ishte lënë, si dhe me bagëtinë personale që mbanin atje. Deri në fund të ekzistencës së regjimit komunist parcelat personale dhe bagëtitë personale të fshatarëve do të qenë sektori më i prosperuar i bujqësisë dhe blegtorisë në vend. Hoxha, në qershor 1959, gjatë një vizite në Gjirokastër u shpreh në takimin me kuadrot dhe anëtarët e plenumit të Komitetit të Partisë të rrethit, duke krahasuar blegtorinë e kooperativave bujqësore me atë të kopshteve personale të kooperativistëve:
       Në lidhje me blegtorinë vihet re se kooperativat bujqësore kanë shtuar krerët e gjësë së gjallë. Në fillim të këtij viti ato kishin 750 lopë,- 27 500 dhen,- 6000 dhi,- 690 bletë,- 6800 shpendë,- 150 dosa. Po megjithëkëtë anëtarët e kooperativave në oborret kooperativiste kanë më tepër bagëti nga kooperativat. Ato sot kanë 3500 lopë, 40 800 dhen dhe 25 900 dhi.[cxv]
      Sa për shpendët dhe bletët, Hoxha nuk e përmend fare shifrën e oborreve personale, se ajo qe sigurisht shumë më e lartë se e kooperativave bujqësore. Problemet që krijoi kolektivizmi i bujqësisë qenë bërë si me porosi për talentin prej komediani të Hoxhës. Kështu, bujqësia e kolektivizuar kishte nevojë për plehra kimike të cilat regjimi nuk ia siguronte dot që në fillim. Fshatarët privatë kishin përdorur kryesisht pleh organik, të cilin tash edhe kur e bënin bagëtitë e kooperativës, ata e merrnin pjesën më të madhe dhe e çonin në parcelat personale. Plehu organik u bë një problem aq i madh sa për të dha mendimin e tij vetë Sekretari i Parë i Komitetit Qendror. Në mars 1958 Hoxha tha:
       Një problem tjetër që nuk po gjen zgjidhje në kooperativat bujqësore është çështja e plehut. Nga të dhënat që ka Ministria e Bujqësisë për vitin 1957, del se kooperativat bujqësore kanë plehëruar vetëm një pjesë shumë të vogël të sipërfaqeve nën kulturë. Ju e dini se pa pleh nuk mund të merren rendimente të larta dhe të qëndrueshme. Prandaj, del detyrë që kooperativat bujqësore t’ i kushtojnë një kujdes të posaçëm grumbullimit dhe përdorimit të plehut organik e të fekaleve, si dhe përdorimit me kriter të drejtë e në mënyrë racionale të plehut kimik. Problemi i grumbullimit dhe i përdorimit racional të plehrave të ndiqet me kujdes edhe nga komitetet e Partisë dhe nga komitetet ekzekutive.[cxvi]
      Parulla e kudogjendur «Çdo gjë për ndërtimin e socializmit» fitonte kështu një kuptim total, duke u vënë nnë shërbim të kauzës jo vetëm plehu i bagëtive, por edhe fekalet e njerëzve, si në Kinën maoiste. Çështja e plehut do ta helmonte në kuptimin e plotë të fjalës bujqësinë shqiptare të kohës së komunizmit, sepse, edhe kur u rrit sasia e plehrave kimike me prodhimin e tyre në vend, kjo çoi në helmimin e mirëfilltë të tokave dhe prodhimeve të tyre, për shkak të cilësisë së keqe të plehrave kimike.
      Ata që shqiptarë që shpresonin se gjërat do të shkonin më mirë në të ardhmen do të qenë zhgënjyer nëse do të kishin dëgjuar atë që tha Hoxha në janar 1956, në konsultën e vendeve të KNER në Moskë:
       Për të respektuar marrëveshjet ekzistuese në shlyerjen e detyrimeve tona kundrejt vendeve miq që na kanë dhënë kredi, vendi ynë është i detyruar të qëndrojë, të paktën deri në vitin 1980, në një nivel jetese të ulët dhe nuk do të jetë në gjendje të sigurojë ritmin normal të zhvillimit të ekonomisë popullore po qe se nuk do t’ i jepen kredi të reja.[cxvii]
      Kjo do të thoshte se edhe 36 vjet pas ardhjes në fuqi të regjimit utopia do të ishte e paarritshme së paku edhe në një shkallë modeste, ndryshe nga Jugosllavia titoiste, e cila me ndihmën e «imperialistëve» ishte duke rritur me shpejtësi nivelin e jetesës së popullsisë së saj. Në 28 maj 1955, kur ratifikohej Traktati i Varshavës në Kuvendin Popullor, Hoxha zgjidhte me vetëdije që ta bënte Shqipërinë të forconte lidhjet me bllokun lindor që i siguronte një mjerim afatgjatë. Si shpërblim ai kërkonte vetëm që sovjetikët ta lejonin të qëndronte në pushtet sa të ishte gjallë.


6.
Arratisja e tretë e Enver Hoxhës: Konferenca e Tiranës

      Në 25 shkurt 1956, ditën që u mbyll Kongresi XX, Hoxha, i cili gjendej në Moskë për të asistuar në kongres, nuk ishte i pranishëm, ashtu si dhe delegacionet e tjera të huaja, për shkak se do të mbahej procedura rutinë e zgjedhjeve në parti. Delegacionet e huaja u çuan për vizita në ndërmarrje e kolkoze në Moskë e pranë Moskës. Hoxha dhe delegacioni shqiptar, së bashku me delegatët rajonit «Stalin» të Moskës bënë një vizitë në uzinën e pajisjeve elektrike për traktorë dhe automobila në Moskë.[cxviii]
      Në mbrëmje Hoxha do të kuptonte se jo rastësisht atë e kishin atashuar me delegatët e rajonit «Stalin». Këtu kishte një simbolikë shqetësuese se po atë ditë  Hrushovi lexoi raportin sekret kundër Stalinit, në një seancë me dyer të mbyllura të kongresit. Hoxha shkruan për këtë në kujtimet:
     Ditën e fundit, kongresi vazhdoi punimet me dyer të mbyllura, meqënëse do të bëheshin zgjedhjet dhe ne nuk asistuam në seancat. Në fakt atë ditë veç zgjedhjeve iu lexua delegatëve një raport i dytë i Hrushovit. Ishte raporti famëkeq, kundër Stalinit, i ashtuquajturi sekret, por që u ishte dërguar më parë edhe udhëheqësve jugosllavë dhe qysh pas disa ditësh iu vu në dorë edhe borgjezisë e reaksionit si një 'dhuratë' e re e Hrushovit dhe e hrushovianëve. Pasi u punua me delegatët e kongresit, ky raport na u dha për ta lexuar edhe neve si gjithë delegacioneve të tjera të huaja.
    E lexuan vetëm sekretarët e parë të partive motra, pjesëmarrës në kongres. Unë e lexova për tërë natën dhe tepër i tronditur ua dhashë ta lexonin edhe Mehmetit e Gogos... Ndiem në mendjet dhe në zemrat tona një goditje të thellë e të rëndë.[cxix]
      Hoxha nuk e mendonte kurrë se Hrushovi do të shkonte deri tek kritikat e ashpra nominale ndaj Stalinit. Tarasi-Herman, në të gjitha fletët e raportit sekret të Hrushovit pa «fytyrën e konteshës plakë». Ai kishte menduar se kishte gjetur kombinimin magjik të letrave me anë të stalinizmit, por tash po shikonte se ky ishte bërë rreziku më i madh për të. Hoxha kur u kthye në Shqipëri, në Plenumin VII të Komitetit Qendror, në mars 1956  para se të fillonte të informonte forumin drejtues të partisë për raportin e Hrushovit për Stalinin në Kongresin XX, u kërkoi të pranishmëve që të mos mbanin shënime, siç bënin rëndom kur fliste ai se:
       kjo çështje do të mbetet vetëm këtu, nuk do të dalë jashtë, se nuk do t’ i thuhet asgjë Partisë.[cxx]
      Destalinizimi u duk se mori një aspekt të frikshëm për udhëheqësit e vendeve satelite sovjetike, kur fill pas përfundimit të Kongresit XX, vdiq udhëheqësi komunist polak Bierut, për të cilin Hoxha ka thënë se në 1954 u rizgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror në kundërshtim me vullnetin e Moskës. Në 16 mars 1956 Hoxha ishte në Varshavë, për të marrë pjesë në funeralin e Bierutit. Hoxha e përshkruan kështu atë:
       Vajtëm dhe e varrosëm në Varshavë; ishte fillimi i marsit 1956. Para arkivolit të Bierutit u mbajtën plot fjalime nga Hrushovi, Cirankieviçi, Ohabi, Çu Deja e të tjerë. Foli edhe Vukmanoviç Tempoja, i cili kishte ardhur të merrte pjesë në varrim si i dërguar i Beogradit.[cxxi]
      Prania e Tempos e bënte edhe më të zymtë funeralin e Bierutit për Hoxhën. Prania e Tempos ishte shenjë se në të ardhmen Hoxha do të ballafaqohej me  Hrushovin, ashtu si Bieruti, për shkak se ishte një çështje kohe që tashmë Tito t’ i kërkonte Moskës largimin e Hoxhës nga pushteti, dhe Hrushovi do të ishte i lumtur që ta kënaqte Titon me një gjë kaq të thjeshtë. Arkivoli me trupin e bierutit që po hynte në varr ishte një pamje shumë shkurajuese për të kundërshtuar Hrushovin në një rast të tillë. Imazhi i varrit të Bierutit do ta ndiqte Hoxhën me vete gjatë rrugës së kthimit dhe më tutje në kohërat e vështira që e prisnin. Kongresi III i partisë, i cili duhet të ishte zhvilluar brenda marsit të vitit 1955, i cili ishte shtyrë, nuk mund të shtyhej më tutje dhe tash do të bëhej në kohën më të pafavorshme. Hoxha kundër dëshirës së tij bënte katalizatorin e shpërthimit. Duke qenë i detyruar t’ i bënte publikisht jehonë frymës së Kongresit XX ai, në 13 prill 1956 botoi në gazetën «Zëri i Popullit» artikullin me titull «Marksizëm-leninizmi na mëson se populli është krijues i historisë». Në fund të tekstit të botuar në veprën nr 13 të Hoxhës është shënimi: «Botohet me shkurtime».[cxxii] Megjithatë, edhe në atë pjesë të artikullit që botohet në veprat e Hoxhës, thuhet:
       Zhvillimi i kultit të individit ka rrënjë të thella edhe në vendin tonë. Janë disa faktorë që e ushqejnë atë, si ekzistenca e shumë mbeturinave të feudalizmit e të patriarkalizmit, niveli i ulët ideologjik i kuadrove e i Partisë dhe lehtë mund të shfaqet tendenca për të veshur me fuqi të jashtëzakonshme persona të veçantë.[cxxiii]
      Të gjithë lexuesit (dhe ky artikull u lexua gjerësisht) e kuptonin lehtë se personi i parë i cili kishte marrë atribute të tilla ishte vetë Hoxha. Njerëzit që jetojnë në regjimet komuniste zhvillojnë një aftësi të jashtëzakonshme për të lexuar midis rreshtave. Ajo çka njerëzit lexuan midis rreshtave në këtë tekst ishte se Hoxha së shpejti do të largohej nga pushteti. Hoxha, kundër dëshirës së tij, shkruante në këtë artikull edhe një gjë tjetër të cilën nuk do të donte kurrë ta bënte në këtë situatë, por që ishte i detyruar ta bënte në frymën e Kongresit XX:
       Ne duhet të zhdukim çdo gjë që dobëson demokracinë e brendshme të Partisë dhe prek të drejtat e anëtarit të saj, që krijon frikë për të kritikuar e për të shprehur hapur mendimet… Por e rëndësishme është që çdo anëtar Partie ta kuptojë se në Parti nuk mund të ketë frikë; çdo anëtar Partie mund dhe është e domosdoshme të shprehë në Parti mendimin e të kritikojë me forcë të metat në punë dhe ata që janë përgjegjës për këto të meta.[cxxiv]
      Në situatën e krijuar, kjo do të thoshte që në shënjestër të kritikuesve të vihej edhe vetë Hoxha. Artikulli i mësipërm që shkroi Hoxha pas kthimit nga Moska ngjante si nekrologji që ai e shkruante për vetveten. Artikulli doli pikërisht në ditën e parë të konferencës së partisë për Tiranën dhe shërbeu për ta bërë atmosferën atje inkandeshente. Edhe ata delegatë që ishin hezitues morën kurajë për të kritikuar deri edhe vetë Hoxhën. Duke qenë se Hoxha ishte i informuar për frymën që mbizotëronte tek delegatët e konferencës, ai iu shmang vajtjes në konferencë, ku gjithmonë kishte shkuar. Hoxha u soll sipas praktikës së tij në raste të ngjashme, si në rastin e fraksionit të Vlorës, si në konferencën e Mukjes, atë të Parisit. Hoxha shkoi me pushime në Vlorë dhe në konferencë çoi si të deleguar të Komitetit Qendror, Beqir Ballukun. Hoxha, me vajtjen në Vlorë, në një kohë të pazakontë për pushime, tregoi panikun që e kishte rrëmbyer keqas. Hoxha, deri më atëherë, për pushime të shkurtra kishte shkuar në Dajt. Aq më tepër këtë herë ai duhet të kishte shkuar atje, për të qenë pranë zhvillimeve në Tiranë. Por duket se Hoxha kishte frikë se mos nga precipitimi i ngjarjeve, mund të ndodhte që ta detyronin të jepte dorëheqjen dhe të kërkonin ta arrestonin. Në këtë rast Hoxha në Dajt do të ishte si në kurth. Prandaj ai shkoi në Vlorë nga ku çdo moment mund të largohej nga Shqipëria me anije (në atë kohë ai ende nuk mund të udhëtonte me avion drejt Bashkimit Sovjetik për shkak se ndalimi i jugosllavëve nuk qe hequr ende).  
      Largimi i pazakontë i Hoxhës në Vlorë, dhe mungesa e tij në konferencë, e cila ishte një gjë e papritur, i inkurajoi më tepër delegatët. Konferenca që në ditën e parë u shndërrua në një gjyq ndaj udhëheqjes dhe posaçërisht ndaj Hoxhës, në frymën e Kongresit XX. Fryma në të cilën po zhvillohej konferenca u bë shkak që të ndodhë ajo që mund të quhet si e vetmja demonstratë proteste ndaj Hoxhës, sa kohë që ai ishte në pushtet. Nexhmije Hoxha shkruan në kujtimet:
       Gjithçka diskutohej në atë sallë, po bëhej «çështje pazari» e bisedohej jashtë, rrugëve, kafeneve e nëpër shtëpira. Ndaj nisën të grumbulloheshin gjithnjë e më shumë grupe njerëzish kureshtarë në Bulevardin e Madh, përkundrejt Sallës së Estradës ku po zhvillonte punimet Konferenca e Tiranës. Kjo më bëri të shkoja në një seancë të Konferencës.[cxxv]
      Ata të cilët qenë grumbulluar nuk qenë të deklasuar, se ata kishin frikë ta bënin këtë gjë, por qenë njerëz të cilët nga pikëpamja e regjimit shiheshin si me biografi të mirë, madje një pjesë e madhe e tyre qenë komunistë. Regjimi po ballafaqohej me atë që e quante si baza e vet. Në turmën e grumbulluar u hap fjala se Hoxha kishte dhënë dorëheqjen dhe kishte ikur në një klinikë në Bashkimin Sovjetik për t’ u kuruar. Situata ishte në pikën kritike të precipitimit. Shehu dhe Beqir Balluku, përkatësisht numrat dy dhe tre të regjimit, të cilët gjendeshin në Tiranë, i bënë të ditur ambasadorit sovjetik se nëse nuk ndërhyhej saora për t’ i dhënë fund kësaj që po ndodhte, atëherë do të duhej një gjakderdhje si në Berlinin Lindor për të marrë gjendjen nën kontroll. Në këtë moment edhe sovjetikët u trembën seriozisht se mos në Shqipëri ndodhte ajo që kishte ndodhur në Berlinin Lindor në 1953, ku situata qe rivendosur vetëm pas ndërhyrjes së tyre ushtarake. Por në Shqipëri nuk kishte ushtri sovjetike, dhe ajo nuk mund të vinte në vend duke kaluar nëpërmjet vendeve fqinje.
      Sovjetikët vërtet donin që në Shqipëri të bëhej sunduese fryma kritike e Kongresit XX, por nuk donin që regjimi të shembej. Sovjetikët ranë dakord se situata duhej marrë nën kontroll me mënyra të forta. Por Hoxha dyshonte se e gjithë kjo ishte një situatë-kurthi e krijuar nga sovjetikët që ai të largohej nga pushteti. Ai dyshonte se pasi të kthehej në Tiranë dhe të merrte situatën nën kontroll, duke vepruar në mënyrë drakoniane, sovjetikët do t’ i kërkonin që të jepte dorëheqjen. Prandaj, Hoxha, nga Vlora ku ishte,  u kërkoi Shehut dhe Beqir Ballukut që të vepronin për të marrë situatën nën kontroll. Por Shehu dhe Beqir Balluku e kuptonin lojën e Hoxhës dhe nuk donin që të luanin siç donte ai e të digjeshin për dobinë e tij. Ata e dinin se në këtë  mënyrë ai llogariste të mos kompromentohej dhe nesër të dilte si arbitër dhe ta kapërcente situatën duke i sakrifikuar ata të dy. Kundërshtimi i kryeministrit dhe i ministrit të Mbrojtjes për të zbatuar urdhrin e vuri diktatorin në një situatë qesharake. Në një regjim komunist kjo gjë ishte ekuivalenti i një puçi në një vend demokratik. Hoxha e kuptonte se pas mosbindjes, Shehut dhe Beqir Ballukut nuk u mbetej tjetër veçse të bënin puç ndaj tij. Ata që nuk i bindeshin urdhrit të diktatorit nuk kishin alternativë tjetër. Prandaj Hoxha i trembur se mos atë natë do të tentonin ta eliminonin, shkoi me anije në ishullin e Sazanit dhe urdhëroi që të qëllohej çdo anije që do të afrohej në ishull. Në ndërkohë anija e tij rrinte gati për nisje. Por Shehu dhe Beqir Balluku hezitonin të bënin puç, se ata nuk ndiheshin aspak të sigurt me njeriun që dukej se do të zëvendësonte Hoxhën, i cili ishte Kapo. Prandaj ata vendosën që t’ i japin Hoxhës edhe një shans. Ky e përshkruan kështu në kujtimet atë që ndodhi më pas:
       Pikërisht në mesditën e ditë së dytë të Konferencës krejt papritur erdhi në Vlorë Nexhmija. Kisha ndonjë javë që ndodhesha në Vlorë me pushime, por, në fakt, po punoja për përgatitjen e raportit të Kongresit të 3- të të Partisë, që do të mbahej në maj të atij viti. Nexhmija më tha se atë ditë (e mbaj mend mirë, ishte e dielë 15 prill), e kishin thirrur në takim Mehmet Shehu e Beqir Balluku dhe Mehmeti i kishte thënë se «gjendja në Konferencë është e rëndë», «po kërkojnë rehabilitimin e Koçi Xoxes, të Tuk Jakovës e të Bedri Spahiut», «lidhje me Titon e partinë jugosllave» etj. «T’ i them këto,- kishte përfunduar Mehmet Shehu,- që të shkosh në Vlorë, të vesh në dijeni shokun Enver dhe ne mendojmë se është e nevojshme të vijë ai vetë në Konferencë».[cxxvi]     
      Në rrëfimin e Hoxhës ka diçka të çuditshme. Pse duhet që Nexhmija të shkonte në Vlorë për t’ ia çuar Hoxhës kumtin e Shehut dhe Beqir Ballukut? Ata të dy mund të bisedonin në telefon drejtpërdrejt me Hoxhën. Edhe Nexhmija, pas bisedës me Shehun dhe Ballukun, mund të bisedonte në telefon me Hoxhën. A nuk duhet që Nexhmija të ishte në Vlorë së bashku me Hoxhën, i cili kur shkonte me pushime e merrte dhe atë me vete? Më e besueshme duket që Hoxha ta ketë çuar Nexhmijen në Tiranë, për t’ u përsjellë Shehut dhe Beqir Ballukut edhe një herë urdhrin e tij që të ndërmerrnin veprime të forta për të marrë situatën nën kontroll.
Por duket se Nexhmija u kthye nga Tirana me një lloj ultimatumi të Shehut dhe Beqir Ballukut, të cilin ajo duhet t’ ia përsillte burrit të saj: Nëse Hoxha nuk kthehej saora në Tiranë për të vënë rregull, ata të dy do të detyroheshin të vepronin me nismën e tyre, duke mbledhur Byronë Politike dhe duke e bërë që të merrte vendim që ta shpallte Hoxhën të dorëhequr, të vendoste shtetrrethimin, çka do të bënte që konferenca të pezullohej dhe po ashtu dhe grumbullimet e njerëzve.
      Tashmë Hoxha nuk kishte ç’ të bënte. Ai ose duhet të largohej atë ditë nga Shqipëria, së bashku me familjen, të cilën e kishte në Vlorë, ose duhej të kthehej në Tiranë dhe të përballej me situatën. Hoxha shkruan në kujtimet:
       Pas atyre që më tha Nexhmija, edhe pa «kërkesën» e Mehmet Shehut, nuk mund të qëndrohej asnjë çast më gjatë në Vlorë. Dhashë urdhër të sillnin makinën dhe pas dy orëve ndodhesha në Tiranë. Thirra menjëherë Mehmet Shehun, Beqir Ballukun (ky de jure ishte i deleguar i Komitetit Qendror në Konferencë, por de facto, siç do të vërtetohej më pas, ishte «i deleguari i shërbimit të fshehtë jugosllav»). Në këtë takim ishte dhe Hysni Kapo. Kërkova veçanërisht nga Beqir Balluku të më informonte më hollësisht ç’ bëhej e ç’ thuhej në Konferencë».[cxxvii]
      Në të vërtetë, Hoxha me të arritur në Tiranë shkoi drejt e në Ambasadën Sovjetike ku ofroi dorëheqjen dhe në këtë rast kërkoi që sovjetikët t’ i siguronin atij qëndrim në Bashkimin Sovjetik së bashku me familjen, me pretekstin e kurimit. Hoxha kishte llogaritur se nëse sovjetikët donin dorëheqjen e tij, atëherë nuk kishte pse t’ i aprovonin kërkesën për të vepruar me forcë për të marrë situatën nën kontroll, nëse situata e krijuar ishte një kurth që ai të jepte dorëheqjen. Nëse sovjetikët do t’ i thoshin që të vazhdonte të qëndronte në pushtet, ai do të kërkonte leje që të vepronte me forcë për të marrë situatën nën kontroll.
      Sovjetikët nuk e donin ende largimin e Hoxhës, po për të njëjtën arsye që këtë gjë nuk e deshën jugosllavët në muajt pas vdekjes së Spirut. Sovjetikët tashmë po planifikonin që të ndërtonin një bazë ushtarake në Shqipëri, në Vlorë, dhe donin që të ishte Hoxha që ta miratonte këtë gjë, dhe të mos dukej sikur sovjetikët e ndryshuan udhëheqësin e Shqipërisë për të siguruar pëlqimin për bazën ushtarake. Sovjetikët qenë të ndjeshëm për këtë gjë se ata e shikonin Shqipërinë si një vend musliman dhe mënyrën si vepronin atje, e shikonin si një kredencial të tyre për depërtimin në botën muslimane. Sovjetikët mund ta largonin Hoxhën nga pushteti kur të donin, kështu që nuk kishin arsye të nguteshin. Por ata donin t’ i jepnin të kuptonte se fati i tij ishte në dorën e tyre. Kështu që ambasadori sovjetik i tha Hoxhës se ai kishte besimin e plotë të Moskës dhe se duhej ta merrte situatën nën kontroll.
      Atëherë Hoxha u soll si një nxënës i denjë i Stalinit. Ai krijoi në Tiranë një atmosferë sikur po përballohej një grusht shteti. Në rrugët e Tiranës dolën forca të shumta ushtarake, ndërsa përreth ndërtesës ku mbahej konferenca u stacionuan tanke. Kjo kishte qëllim që t’ u jepte të kuptonte delegatëve dhe njerëzve të grumbulluar në shesh se ai kishte marrë miratimin e sovjetikëve për të shtypur me forcë kundërshtimet ndaj tij. Hoxha hyri në sallën e konferencës si një zotëri lufte. Por ai si një komedian i talentuar, duke qenë i vetëdijshëm për frikën që krijonte tek të pranishmit prania e forcave ushtarake përreth ndërtesës ku mbahej konferenca, i lejoi vetes një sjellje gjithë kortezi në fillim:
       Të më falni që nuk erdha më parë, pse nuk kam qenë këtu. Vendosa të vij, sepse dëgjova që kjo konferencë është ca si e elektrizuar.[cxxviii]
      Pastaj Hoxha i mori me radhë të gjitha çështjet e nxehta të cilat qenë diskutuar në dy ditët e para të konferencës. Tashmë që konferenca mbahej nën një atmosferë shtetrrethimi, Hoxha i lejoi vetes që çështjen e kultit të individit ta kalonte me frazeologjinë e zakonshme:
       Këtu u ngrit çështja e kultit të individit me të gjitha aspektet e tij. Në lidhje me këtë, përsa i përket personit të J. V. Stalinit janë marrë masa si në Bashkimin Sovjetik e në demokracitë popullore, ashtu edhe te ne. Kjo është një çështje që e ka preokupuar dhe e preokupon Partinë tonë.[cxxix]
      Në ato rrethana, që një delegat të çohej dhe të zbatonte ftesën që kishte bërë Hoxha në artikullin e dy ditëve më parë për të bërë kritikë të lirë, duke i thënë Hoxhës se në Shqipëri kritika ndaj kultit të individit nuk kishte kuptim nëse nuk i adresohej atij, kjo do të thoshte që ai delegat të tërhiqte në një sfidë kamikaze veten, familjen dhe të afërmit. Askush nuk e bëri këtë gjë. Për çështjen e mosavancimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, të cilën e ngritën diskutuesit, Hoxha tha:
       Në qoftë se edhe Nesti Zotos nuk i mbushet mendja, sepse sipas tij nuk po ecet shpejt në përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, le të na thotë se ç’ duhet bërë më shumë. Sugjerimet me vend janë kurdoherë të mira. Fakti është se përpjekje po bëhen, po këto çështje nuk varen vetëm nga ne, kanë dhe ata pikëpamjet e tyre, planet dhe dëshirat e tyre.[cxxx]
      Pra Hoxha e bëri të qartë se qe Tito ai që nuk e donte afrimin tani, duke e kushtëzuar afrimin me largimin e Hoxhës nga pushteti, se po të ishte për atë, Hoxhën, gjërat do të kishin shkuar ndryshe. Sa i përket debatit që u bë në konferencën e Tiranës për marrëdhëniet me Jugosllavinë Hoxha do të thoshte në Kongresin III, në maj:
       Elementët antiparti që nxuarrën veshët në konferencën e Tiranës, pretendojnë se marrëdhëniet miqësore me Jugosllavinë gjoja nuk ecin me ritmin e duhur. Ne, komunistët shqiptarë, themi dhe punojmë që lidhjet e miqësisë me Jugosllavinë Federative Popullore të ecin kurdoherë përpara në frymën marksiste-leniniste. Po themi gjithashtu se këtë gjë do ta bëjë vetëm Partija jonë e Punës, parti besnike ndaj marksizëm-leninizmit. Në qoftë se ndokush mendon që fatin e miqësisë në mes vendit tonë me Jugosllavinë socialiste t’ ua varim në qafë disa aventurierëve antimarksistë dhe pa kurrfarë parimi, ai gabon dhe ka përgjegjësi të rëndë dhe kjo nuk do të lejohet kurrë nga partija dhe nga pushteti tonë popullor.[cxxxi]
      Problemi për Hoxhën nuk ishte pra aspekti ideologjik i çështjes, por interesi i tij personal i ruajtjes së pushtetit. Sa për çështjen e rehabilitimit të të dënuarve në udhëheqjen partiake, në frymën e re që vinte nga Moska, Hoxha në fjalimin e tij në konferencë i quajti të drejta spastrimet e bëra që nga ai ndaj Sejfulla Malëshovës, tek ai ndaj Xoxes, Abedin Shehut dhe deri tek ai ndaj Jakovës. Në 10- 11 maj 1956 u mbajt Plenumi XIX i jashtëzakonshëm i Komitetit Qendror, i cili i quajti të drejta të gjitha spastrimet e bëra në parti. Për çështjen e reabilitimeve Hoxha u shpreh:     
       Reabilitimi i njerëzve të pafajshëm është një gjest i lartë i drejtësisë, i humanitarizmit që vetëm partitë marksiste-leniniste janë në gjendje ta bëjnë, sikundër që e bënë. Kjo tregon forcën e madhe të partive tona marksiste-leniniste. Por kjo s’ ngatërrohet me goditjen e drejtë, të merituar dhe të faktuar të armiqve të partisë, të popullit dhe të socializmit… Në analizën e thellë që u bëri plenumi i Komitetit Qendror mbajtur më 10 e 11 maj 1956, në dritën e mësimeve të mëdha të Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, të gjitha çështjeve të partisë dhe veçanërisht masave që janë marrë kundrejt të gjitha grupeve dhe elementëve antiparti dhe deviatorë, rezultoi se këto kanë qenë plotësisht të drejta.[cxxxii]
      Hoxha, në konferencën e Tiranës u tregua veçanërisht i ndjeshëm ndaj kritikave për shpenzimet e mëdha që bëheshin nga arka e shtetit për udhëheqjen, duke i thënë njërit prej kritikuesve:
       Ç’ janë këto gjëra këtu në konferencë shoku Iljaz? Nga i ke marrë ti këto të dhëna, që bën hesap se sa shpenzon një anëtar i Komitetit Qendror? Si sekretar i partisë nuk të lejoj të na dalësh me kalem në dorë dhe të bësh llogari, se këtu nuk është vendi; në qoftë se kërkon llogari se sa shpenzohet për anëtarët e Komitetit Qendror, këtë mund ta bëjmë nesër, pasnesër. Fjalët dhe llogaritë e tua janë tendencioze, janë për diskreditimin e udhëheqjes së Partisë.[cxxxiii]
      Hoxha këtu aludonte qartë se nësër këto llogari guximtarët mund t’ i bënin duke medituar në errësirën e qelive të Sigurimit të Shtetit. Hoxha, sipas dokjes së tij, nuk mungoi të tregonte dhe erudicionin para të pranishmëve, kur bëri krahasimin mes drejtësisë mitologjike dhe borgjeze nga njëra anë dhe asaj komuniste në anën tjetër:
       Në mitologji drejtësia përfytyrohej me një perëndeshë që e quanin Denis. Borgjezia atë e ka marrë si simbol dhe i ka bërë një statujë në figurën e një gruaje. Asaj i kanë lidhur sytë dhe i kanë vënë një peshore në dorë.[cxxxiv]
      Pastaj Hoxha bëri një definicion figurativ për drejtësinë komuniste, kur tha:
       Ja kjo është drejtësia e Partisë, po kjo drejtësi nuk e ka shaminë të lidhur në sy dhe në dorë nuk mban një peshore, po mban drapërin dhe çekanin. Partia nuk i mbyll sytë, po i ka si të shqiponjës.[cxxxv]
      Kjo ishte shprehja më cinike dhe brutale e kultit të individit, se ky mishërim i drejtësisë komuniste ishte vetë Hoxha, me «drapër» e «çekan» në dorë, që me njërin priste koka dhe me tjetrin i shtypte ato. Konferenca hyri përfundimisht në kursin që donte Hoxha dhe përfundoi siç donte ai. Në Kongresin III, muajin tjetër, Hoxha do t’ i quante kritikat në konferencën e Tiranës si punë armiqësore:
       Kohët e fundit, disa elementë me origjinë të shtresave borgjeze dhe intelektuale të sëmurë, me pikëpamje antiparti dhe kundër forcimit të pushtetit popullor dhe ndërtimit të socializmit në vendin tonë, të ushqyer nga propaganda shpifëse dhe armiqësore e huaj, u përpoqën në konferencën e partisë për qytetin e Tiranës, të luftonin Partinë e Punës të Shqipërisë, vijën dhe udhëheqjen e saj. Këta aventurierë që kishin hyrë kontrabandë në parti, ose kishin gabuar për shumë herë në vijën e partisë, ose që s’ ju pëlqente ecja e vazhdueshme e vendit tonë drejt socializmit, duke menduar se gjendja ndërkombëtare ishte në favorin e tyre, ose duke marrë dëshirat e tyre për realitet në drejtimin që partija jonë të kapitullonte përpara propagandës armike ose elementave pa përgjegjësi, luftuan dhe u përpoqën që partija jonë të njohë veprimtarinë armiqësore, antiparti, antipushtet, trockiste e revizioniste të grupeve ose individëve të ndryshëm që janë dënuar me të drejtë nga partija si një «veprimtari të drejtë patriotike, brënda vijës marksiste-leniniste».
      Është e kuptueshme se këta elementa antiparti s’ janë veçse vazhdimi i vargut të grupeve ose individëve antiparti dhe kundër pushtetit popullor që partija jonë i ka flakur jashtë me kohë.[cxxxvi]
      Hoxha nuk u tha asgjë Shehut dhe Beqir Ballukut për atë që ata e kërcënuan me një puç ushtarak. Ai kishte nevojë për mbështetjen e tyre. Por ai nuk do ta harronte kurrë atë që bënë ata. Hoxha, ashtu si Stalini, ishte i aftë ta përmbante hakmarrjen për shumë vite dhe ta përmbushte atë kur viktima nuk e priste.      


7.
      Hrushoviani antistalinist

      Kongresi III u përgatit si një spektakël propagandistik stalinian dhe në 24 maj 1956, një ditë para fillimit të tij, Hoxha, si një vasal i bindur doli të presë delegacionin sovjetik:
       Pritëm në aeroport delegacionin e PK të BS, të kryesuar nga P. N. Pospjelov.[cxxxvii]
      Kongresi III i PPSH do të ishte përsëritja e Kongresit XX si farsë, me «Stalinin» shqiptar që dënonte Stalinin.Raporti i Hoxhës në Kongresin III është përgënjeshtrimi më i mirë i gjithçkaje do të thoshte ai më pas kundër Hrushovit. Asgjë nga ato që do të citoj më tutje nga raporti i Hoxhës nuk gjendet në versionin e raportit të tij të botuar në serinë e Veprave. Për Kongresin XX, Hoxha tha në raportin e vet:
       Ka një rëndësi të madhe për vëndin tonë që Kongresi i ynë i III zhvillohet pas Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, sepse kështu do të kemi mundësinë që nga kjo tribunë e lartë e partisë sonë të diskutojmë e të vendosim mbi detyrat tona nën dritën e vendimeve aq të çmueshme të Kongresit të XX, i cili ka qenë një ngjarje me rëndësi të madhe historike, sepse ai hodhi dritë mbi gjendjen ndërkombëtare dhe perspektivat e zhvillimit të saj në të ardhmen në dobi të paqes, miqësisë e të mirëqenies së popujve në dobi të socializmit e të komunizmit.[cxxxviii]
      Në të vërtetë asgjë nuk po bëhej në Kongresin e PPSH sipas frymës së Kongresit XX. Hoxha më tutje tha:
       Gjithë partija dhe populli ynë janë plotësisht solidarë me vendimet historike të Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, të cilat i hapin njerëzimit perspektiva të qarta, të drejta dhe shkencore për të realizuar aspiratat e tij në paqe dhe në bashkëpunim të sinqertë në mes të popujve dhe shteteve.[cxxxix]
      Nëse ishte kështu atëherë partia dhe populli prisnin që në kongres të bëhej gjyqi i Hoxhës, ashtu siç u bë gjyqi i Stalinit në Kongresin XX. Hoxha nuk mund të rrinte pa folur për atë se si ishte pritur Kongresi XX në botë:
       Punimet dhe vendimet e Kongresit XX kanë ngjallur një entusiazëm të madh në të gjithë botën, kanë ngjallur shpresa më të mëdha për një të ardhme më të mirë dhe paqësore për njerëzimin. Në vëndet tona të demokracisë popullore punimet e Kongresit XX kanë ngjallur një entusiazëm të papëshkruar, sepse në to popujt tanë, që udhëhiqen nga partitë e tyre marksiste-leniniste, gjejnë forcën e madhe që i ndihmon, që i mëson të forcojnë ekonominë e tyre, aftësinë e tyre mbrojtëse dhe të ecin përpara me guxim dhe me siguri në rrugën e socializmit.[cxl]
      Për çështjet e rishikimit të doktrinës komuniste, për të cilat Hoxha më pas do ta anatemonte veçanërisht Hrushovin, do të thoshte në Kongresin III:          
       Çështjet parimore që u shtruan në Kongresin e XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në lidhje me zhvillimin e gjendjes së tanishme ndërkombëtare kanë një rëndësi të madhe historike për njerëzimin dhe janë një thesar i çmueshëm që i shtohet marksizëm-leninizmit në rrethanat konkrete të gjendjes së tanishme ndërkombëtare.[cxli]
      Një çështje e këtij lloji ishte ajo e mundësisë së ndalimit të luftrave, të cilën më pas Hoxha do t’ ia zinte si një herezi të tmerrshme Hrushovit dhe pasardhësve të tij. Për këtë çështje Hoxha do të thoshte në Kongresin III:
       Një çështje tjetër me rëndësi të madhe parimore që Kongresi i XX i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik i shtoi marksizëm-leninizmit është çështja mbi mundësinë e ndalimit të luftërave në kohën e sotme. Kësaj pyetjeje të vazhdueshme të njerëzimit ju dha një përgjigje e drejtë e shkencore nga Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Luftërat në kohërat e sotme nuk mund të jenë fatale dhe të pashmangëshme, «në çështjen nëse do të ketë apo nuk do të ketë luftë një rëndësi të madhe ka raporti i forcave të klasave, i forcave politike, shkalla e organizimit dhe vullneti i ndërgjegjshëm i njerëzve». Tezat marksiste-leniniste sipas të cilave luftërat janë të pashmangëshme qenë formuluar në periudhën kur imperializmi ishte i vetmi sistem botëror dhe forcat shoqërore e politike që ishin kundër luftës qenë akoma mjaft të dobëta… Këto teza të rëndësishme të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik i hapën njerëzimit perspektiva të ndritëshme, ngjallën entusiazmin, shpresat dhe forcuan luftën e tyre për të mbrojtur paqen. Popujt e botës tani e kuptojnë më mirë, se lufta nuk u qëndron mbi krye si shpata e Damokleut, por ata vetë janë në gjendje ta thyejnë përgjithmonë atë shpatë që i shkaktonte njerëzimit kaqë katastrofa periodike.[cxlii]
      Për një tjetër çështje të shprehur në Kongresin XXqë më pas Hoxha do ta quante herezi të madhe ideologjike të Hrushovit, atë të marrjes së pushtetit pa dhunë nga komunistët në vendet borgjeze, Hoxha do të shprehej në Kongresin III:
       Teza mbi format e kalimit të vëndeve të ndryshme për në socializëm, e bazuar në tezat e famëshme të Leninit të madh, u hap popujve dhe klasës punëtore të të gjitha vnedeve perspektiva të shkëlqyera për kalimin në socializëm me forma të ndryshme. Çështja e kalimit në socializëm me luftë civile ose pa luftë civile është gjithashtu një dritë e madhe dhe një ndihmë shumë e çmueshme për partitë e klasës punëtore dhe për popujt punonjës, për të marrë fuqinë në dorë, për të bërë ndryshime shoqërore, për të kthyer, atje ku borgjezia nuk është në gjendje të përdorë dhunën dhe të kundërshtojë me forcë, parlamentin borgjez në një mjet të vullnetit të vërtetë popullor, për të siguruar kalimin e mjeteve kryesore të prodhimit në duart e popullit.[cxliii]
      Hoxha, duke bërë garë me homologët e vendeve satelite sovjetike, për t’ i pëlqyer Moskës, do të shprehej për Kongresin XX:
       mësimet e Kongresit të XX studjohen me kujdesin më të madh dhe janë bërë fanar ndriçues i të gjithë njerëzve të veprimit e me vullnet të mirë që lëftojnë për paqen dhe për një jetë më të mirë.[cxliv]
      Por sigurisht që pjesa më interesante e raportit të Hoxhës në Kongresin III është ajo kur i bën gjyqin idhullit të vet të deklaruar, të mëparshëm dhe të mëvonshëm, Stalinit. Hoxha foli gjatë për këtë çështje në frymën e raportit sekret të Hrushovit në Kongresin XX, duke bërë një historik të fajeve të Stalinit:
       Në këtë kohë kur J.V. Stalini fitoi popullaritet, simpati dhe pati përkrahje në parti dhe në popull, në personin e tij, në praktikën e punës së tij, u çfaqën gradualisht karakteristika dhe cilësira të atilla të cilat u zhvilluan në mënyrë të shëmtuar, duke u bë kult i individit. Sukseset e mëdha historike botërore që korri populli sovjetik në ndërtimin e socializmit, në luftën ngadhnjimëtare patriotike, në forcimin e sistemit shoqëror dhe shtetëror sovjetik dhe në rritjen e prestigjit ndërkombëtar të Bashkimit Sovjetik të gjitha këto fitore të shkëlqyera të popullit sovjetik të udhëhequr nga partija komuniste nuk patën interpretimin e drejtë marksist-leninist po ju atribuan padrejtësisht meritave të një njeriu të vetëm, Stalinit, dhe të gjitha këto u shpjeguan me anën e meritave të tij të veçanta. Gabimi i madh i J. V. Stalinit ishte jo vetëm se i pranoi lavdërimet dhe mburrjet që i bëheshin atij, por nga ana e tij i përkrahu dhe i inkurajoi këto pikpamje antimarksiste.[cxlv]
      Hoxha nuk do të frenohej aspak në goditjen e Stalinit:
       Kulti i individit dhe praktika e udhëheqjes që u krijua nga J. V. Stalini, shënuan shkeljen e hapët dhe të shëmtuar të parimeve leniniste të udhëheqjes kolegjiale në parti, shënuan shkeljen e normave leniniste të partisë. Mospërfillja nga ana e J. V. Stalinit e normave të jetës së partisë dhe të parimit të udhëheqjes kolegjiale të partisë, zgjidhja e çështjeve në mënyrë individuale nga ana e tij, mospërfillja e mendimit të partisë, bile duke marrë edhe masa të rënda kundër atyre që shprehnin mendime tëe ndryshme nga të tijat, nuk mund të mos sillnin dhe sollën dëmtime të mëdha, duke shkaktuar shtrembërime të rënda të rregullave leniniste në jetën e partisë dhe shkeljen e ligjshmërisë revolucionare.[cxlvi]
      Delegatët dhe gjithë populli dëgjonin të mrekulluar se si Hoxha po e qortonte Stalinin për të gjitha ato gjëra për të cilat i kishte bërë hymne:
       Kulti i individit dhe mospërfillja e kritikave dhe këshillave të drejta të anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe normave të partisë e çuan shokun Stalin në gabime; ai nuk tregoi vigjilencën e nevojshme në pragun e luftës patriotike kundër nazizmit gjerman, nuk i vuri kujdesin e duhur zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë socialiste dhe mirëqënies materiale të kolkozianëve, përkrahu dhe nxiti në vijë të gabuar çështjen jugosllave etj. Në këto rrethana, shoku Stalin, u tregua i njëanshëm në mendime dhe u shkëput nga masat. Kulti i individit dhe shkelja e normave të jetës së partisë shërbyen si terreni më i përshtatshëm, nga i cili përfituan armiqtë e partisë dhe të shtetit sovjetik, siç ishte agjenti i imperializmit Beria, që veproi për shumë kohë i maskuar në dëm të partisë dhe të shtetit socialist.[cxlvii]
      Është ironi e madhe që Hoxha, më vonë, në tetor 1961, duke folur në Plenumin V të Komitetit Qendror, tha:
       Partia jonë sikur u godit në zemër kur renegati Hrushov sulmoi J. V. Stalinin.[cxlviii]
      Me të vërtetë një comedian i pashoq! Ajo çka prisnin me kureshtje delegatët e Kongresit III dhe gjithë populli që dëgjonte fjalimin në radio, ishte që Hoxha të kalonte në çështjen e kultit të individit në Shqipëri, për të cilën Hoxha do të thoshte:    
       Partija jonë dhe populli ynë aprovojnë luftën guximtare dhe parimore që ju bë kultit të individit. Kulti i individit në personin e shokut Stalin ka pasur edhe në partinë dhe vendin tonë çfaqjet e saj shumë të theksuara.[cxlix]
      Në këto momente, kur e gjithë salla e kongresit, si dhe gjithë populli që dëgjonte fjalimin në radio kanë mbajtur frymën pezull, Hoxha do të vazhdonte duke denoncuar vetveten me një kurajë prej komediani:
       Duhet theksuar se nga propaganda e partisë u përdorën edhe në vendin tonë trajta të njëllojta të urrejtshme dhe jo në frymën marksiste, përsa i përket ekzaltimit të individit në personat e udhëheqjes dhe kryesisht në personin e sekretarit të përgjithshëm të Partisë së Punës të Shqipërisë. Propaganda e partisë dhe e shtetit tonë në këtë drejtim, në mënyrë të tepëruar, jo në rrugën marksiste, filloi të vinte në dukje në shtyp, në radio, në manifestimet popullore, rolin e personaliteteve dhe të udhëheqësve, duke i ekzaltuar këta me epitete jo të drejta.[cl]
      Ishte me të vërtetë një moment historik ai kur udhëheqësi suprem i vendit do të denonconte falsitetin e regjimit të tij:
       S’ ka asnjë dyshim se një veprimtari e tillë e propagandës së partisë e ka dobësuar punën e partisë, ka dobësuar sadopak rolin e masave dhe rolin udhëheqës të partisë. Këtu duhet të gjejmë burimin e disa shprehjeve të popullit që vërtetojnë këtë. Shumë herë flitet në popull dhe thuhet: «Ujët del i kulluar lart, po turbullohet poshtë», «të rrojnë udhëheqësit, pa çdo gjë do të shkojë mirë», etj. Kjo tregon se propaganda e partisë, e zhvilluar në një frymë të tillë të gabuar, kishte filluar të vepronte në drejtimin e dobësimit të rolit të partisë, të bazës së partisë dhe në besimin e forcave të saj të pashtershme. Nga ana tjetër ajo kishte krijuar deri në një farë shkalle, pikëpamjen e «pagabueshmërisë së udhëheqësve» dhe se çdo gjë do të ndreqej dhe do të bëhej mirë vetëm në sajë të udhëheqjes dhe të disa personaliteteve.[cli]
      Por a nuk ishte Hoxha në origjinë të kësaj propagande?! Më tutje, Hoxha, duke zbuluar origjinën e kultit të individit, do të pohonte se ai nuk ishte gjë tjetër veçse një zombie i ideologjizuar i së shkuarës së vendit:
       Kulti i individit është një mbeturinë e kalbur dhe prodhim i klasave çfrytëzuese dhe i prodhuesve të vegjël. Duke e shikuar çështjen në këtë drejtim dhe duke marrë parasysh përbërjen shoqërore të vendit tonë një ekzaltim i tillë i personaliteteve apo i heronjve bëhej mjaft i rrezikshëm, veçanërisht në vëndin tonë, me një përbërje të tillë, ku çështja e trimërisë individuale, e heronjve, vihet lehtë mbi heriozmat e masave të popullit që kanë luftuar gjatë shekujve për lirinë e atdheut.[clii]
      Hoxha më tutje pohoi se kulti i individit, domethënë diktatori, shumëfishohej mijëra herë tek njerëzit e nomenklaturës, të cilët e sundonin vendin arbitrarisht me përfitime abusive për vetveten:     
       Një zhvillim i tillë i shtrembër i kultit të individit nga propaganda e partisë sonë, sigurisht, nxiste në të gjitha hallkat e partisë edhe të pushtetit mëndjemadhësinë dhe arrogancën në kuadrot dhe elementat akoma jo të kalitur dhe jo të edukuar si duhet me frymën marksiste –leniniste, krijonte në këto kuadro ku më shumë e ku më pak ndjenjën e kryelartësisë së sëmurë, të mburrjeve, të veprimeve arbitrare, zhvillonte sedrën e sëmurë mikroborgjeze dhe ndjenjën e epërsisë dhe të pagabueshmërisë së tyre. Kjo dobësonte, natyrisht, edhe udhëheqjen kolegjiale të partisë në të gjitha hallkat e saj, dobësonte kritikën e shëndoshë parimore, dobësonte autokritikën dhe largonte udhëheqjen nga masat.[cliii]
      Hoxha pretendoi se:
       Partija e Punës e Shqipërisë nxjerr mësime të rëndësishme nga vendimet e Kongresit të XX mbi kultin e individit. Është një detyrë me shumë rëndësi për partinë tonë të luftojë në të gjitha instancat e saj për respektimin me rreptësi të parimit të kolegjialitetit në udhëheqje dhe për respektimin e plotë të normave leniniste të partisë…Partija jonë duhet të çmojë drejt këtë rrezik dhe s’ duhet të ketë frikë të luftojë akoma më me këmbëngulje dhe më me guxim këtë kult të dëmshëm që është i huaj për marksizëm-leninizmin. Kulti i individit duhet të çfaroset plotësisht dhe partija s’ duhet të lejojë që të errësohet roli i masave punonjëse në historinë e popullit tonë dhe ai i partisë si udhëheqëse e tyre. Kulti i individit nuk zhduket rrënjësisht duke zhdukur format e jashtme, por duke spastruar ndërgjegjen nga çdo mbeturinë mikroborgjeze, ku e ka burimin kjo sëmundje. Duhet kalitur pra pa pushim ndërgjegjia socialiste në njerëzit me anë të kudhrës së partisë.[cliv]
      Koha do të tregonte se ky premtim mbeti një fiksion retorik. Hoxha, derisa nuk ishte prishur me Hrushovin, do të bënte ndonjë gjest për të treguar se ai nuk e donte kultin që i ndërtohej personit të tij, siç bëri në janar 1958, kur i shkruajti një letër Byrosë Politike:
       Me këtë letër unë vij t’ u lutem, të dashur shokë, që të ndryshohet emri i hidrocentralit të Ulzës, ai të mos quhet më me emrin tim dhe i propozoj Byrosë Politike të Komitetit Qendror që kësaj vepre madhështore t’ i verë emrin e themeluesit dhe mësuesit të lavdishëm të komunizmit ndërkombëtar, Karl Marks.[clv]
      Fjalë prej komediani të vërtetë! Në fund të tekstit është shënimi sqarues:
      Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH mori parasysh kërkesën e shokut Enver Hoxha.[clvi]
      Më pas emërtimet e këtij lloji do të vinin si lumë. Hoxha, për ta mbajtur nën kontroll partinë dhe nomenklaturën sunduese në veçanti, në ato kohë të vështira për të, hapi befas problemin, të cilin ai e kishte quajtur me një fjalë turke, të tarafeve:
       Një praktikë shumë e dëmshme në punën për vendosjen e kuadrove është vendosja e tyre në bazë miqësije dhe akraballëku. Një politikë e tillë, krejt në kundërshtim me çdo direktivë të partisë, i shkatëron kuadrot, dëmton rëndë punën. Në një ambient të tillë familjar s’ ka kritikë e autokritikë, pra s’ ka luftë për ta çuar përpara punën. Në një ambient të tillë lindin e zhvillohen lajkat, mburrjet, përuljet ndaj «të parit të familjes». Dhe pastaj pas tyre vijnë përvehtësimet e vjedhjet. Tipik në këtë drejtim është shembulli i kooperativës së konsumit në Librazhd të Elbasanit. Kuadrot e kësaj kooperative qenë lidhur midis tyre në këtë mënyrë: Qemal Qoshja e Rakip Qoshja ishin vëllezër; Nezir Alushi-nipi i tyre; Hasan Kurti- kunati i Rakip Qoshjes, ish-nënkryetari i kooperativës; Isuf Qyra dhe Hamit Qyra vëllezër dhe fis me Xhemal Qyren dhe Idriz Alushi, që nuk ishte fis me ta, ishte bërë «byrazer» në bazë të zakonit me Isuf Qyren. Siç e shihni një familje e vërtetë!... Partija duhet të tregohet e kujdesëshme dhe syhapur për të goditur me forcë që në lindje çdo çfaqje të këtij lloji që dëmton rëndë tërë punën. Në asnjë mënyrë të mos lejohet që qëndrat tona të prodhimit dhe të shërbimit, zyrat tona, të kthehen në familje.[clvii]
      Hoxha e sillte këtë shembull për t’ u çuar një sinjal tarafeve të fuqishme të regjimit, të cilët fillonin në udhëheqjen e lartë dhe degëzoheshin poshtë në të gjitha nivelet e nomenklaturës, se do të denoncoheshin në këtë mënyrë në rast se nuk tregoheshin të bindur ndaj tij. E reja më e rëndësishme në Kongresin III ishte ngritja e Kapos në postin e sekretarit të Komitetit Qendror. Që kjo gjë u bë me kërkesën e sovjetikëve ishte jashtë çdo dyshimi. Kapo urrehej njëlloj si nga Hoxha, ashtu dhe nga Shehu. Kapo në Plenumin VIII të Komitetit Qendror, shkurt 1948, kishte thënë për Hoxhën kur ky ishte në momentet më të vështira:
       Dua të them vetëm për sa i përket punës armiqësore të Nakos. Shokët që e kanë parë drejt në Byro këtë punë kanë qenë shoku Koçi dhe Pandi. Te Komandanti dhe te qendrimi neutral i Bedriut dhe i Tukut dhe i gjithë të tjerëve, Nakoja ka gjetur mbështetje.[clviii]
      Kapo këtu veten e paraqet neutral, ndërsa Hoxhën e bën bashkëpunëtor të Spirut. Për Shehun Kapo kishte thënë në Plenumin VIII:
       Për sa i përket diskusioneve në lidhje me analizën del e qartë se puna e Nakos është një punë tradhtare. Puna e tij ka lënë mikrobe mbrapa dhe veçanërisht për elementët që kanë qenë bashkëpunëtorë të tij më të ngushtë. Veçanërisht për Mehmetin lidhur me letrën e Fulcit. Unë dyshoj se ai mund të ketë lëshuar me qëllim edhe Xhepin.[clix]
      Hoxha u tregua indulgjent edhe më të tjerë njerëz që e sulmuan në Plenumin VIII, duke menduar se ata do t’ i shërbenin atij si i mbrojtësi i tyre nga  Shehu kishte dashur t’ i eliminonte të gjithë. Të gjithë këta njerëz do të ngriheshin ndjeshëm në poste pas vitit 1948, me përjashtim të Kapos. Kapo kishte qenë i vetmi person, i mbetur nga Byroja Politike e para spastrimit të vitit 1948, që nuk ishte bërë sekretar i Komitetit Qendror para vitit 1956. Kapo ishte bërë zëvendëskryeministër në korrik 1950, por pa mbajtur portofol ministror. Në shtator 1951 atij i ishte dhënë portofoli i Ministrisë së Bujqësisë, çka mund të shihej si një dhuratë e dyshimtë, se ai do të ishte i vetmi politbyroist që do ta mbante këtë post gjatë 47 viteve të ekzistencës së regjimit komunist. Derisa bujqësia ishte pika e dobët e ekonomisë së vendeve komuniste, Ministria e Bujqësisë shihej si një detyrë që u jepej atyre që kërkohej t’ u prishej karriera dhe të eliminoheshin. Që në rastin e Kapos ishte pikërisht kështu, kjo gjë u kuptua kur në gusht 1953, u shkri Ministria e Grumbullimeve, e cila merrej me grumbullimin e detyrimeve në drithë, mish dhe bulmet nga fshatarësia, dhe atributet e saj i kaluan Ministrisë së Bujqësisë, e cila do të quhej tash e tutje Ministria e Bujqësisë dhe Grumbullimeve. Grumbullimi i detyrimeve të fshatarësisë ishte një detyrë veçanërisht e ndërlikuar dhe problematike. Tashmë ministria dukej si një kurth i ngritur për të eliminuar Kapon. Hoxha sigurisht që nuk kishte dëshirë ta nxirrte Kapon nga ky kurth burokratik, por këtë gjë e bënë sovjetikët. Kur Kapo u bë sekretar i Komitetit Qendror, ai la vendin e tij në qeveri. 
      Gjëja tjetër që ra në sy në Kongresin III ishte se ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, nga Vlora, nuk u bë jo më anëtar, por as kandidat i Byrosë Politike, edhe pse e mbante këtë post veçanërisht të rëndësishëm për regjimin, që prej dy vjetësh, dhe të tre paraardhësit e tij kishin qenë anëtarë të Byrosë Politike. Kadri Hazbiu ishte bërë zëvendësministër i Punëve të Brendshme që mbulonte Sigurimin e Shtetit dhe më pas ministër, në një kohë që Hoxha ende nuk e shikonte Kapon si rrezik. Duket se Hoxha dhe Shehu tashmë planifikonin që ta largonin Kadri Hazbiun nga posti, duke parashikuar se në rast se Kapo do të lëshonte sfidën e tij ndaj Hoxhës dhe Shehut, për t’ u bërë numri një i regjimit, Kadri Hazbiu do të bëhej aleat i Kapos. Mbetja jashtë Byrosë Politike e ministrit të Punëve të Brendshme binte më tepër në sy duke parë se kush u pranua anëtar dhe kandidat i saj. Në Byronë Politike hynë dy anëtarë të rinj, Manush Myftiu  dhe Rita Marko. Manush Myftiu ishte përzgjedhur se qe nga Vlora por nuk qe i afërt me Kapon, ndërsa me Rita Markon riktheheshin vllehët në Byronë Politike, për herë të parë pas vitit 1948. Kandidatët e Byrosë Politike të dalë nga Kongresi III qenë: Adil Çarçani, Haki Toska, Pilo Peristeri, Ramiz Alia, Rrapo Dervishi, Koço Theodhosi. Ishte absurde që këta persona, pjesa më e madhe e të cilëve mbanin poste të nivelit të mesëm të hierarkinë e regjimit të bëheshin kandidatë të Byrosë Politike, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme të mos ishte midis tyre. Një gjë tjetër që ra në sy në këtë kongres ishte se njeriu i Hoxhës, Ramiz Alia, shkelte kështu në Byronë Politike në moshën 31 vjeç. Hoxha qartësisht po kujdesej që ky njeri të ecte para shpejt. Për ta bërë të njohur Ramiz Alinë në komunizmin ndërkombëtar, Hoxha do ta çonte atë në korrik të atij viti në Francë si kryetar i delegacionit të Komitetit Qendror të PPSH, që mori pjesë në kongresin e Partisë Komuniste të Francës.
      Në Byronë Politike të dalë nga Kongresi III Hoxha nuk do ta zbatonte më sa u përket të krishterëve ortodoksë këshillën e Stalinit për të mos ngritur më ortodoksë dhe katolikë në udhëheqje. Për herë të parë që nga viti 1948, numri i të krishterëve ortodoksë në Byronë Politike do të rritej në tre anëtarë dhe një kandidat. Në sekretariatin e Komitetit Qendror Hoxha do të fuste njeriun e vet nga Gjirokastra, Haki Toskën për të kundërbalancuar Kapon.       


8.
Radha e udhëtimit pa kthim në Moskë

      Në 2 qershor 1956, ditën e përfundimit të Kongresit III të PPSH, Tito i kthente vizitën në Moskë Hrushovit. Kjo vizitë u parapri me një ogur të keq për Hoxhën, kur ditën që mbërriti Tito në Moskë, Hrushovi bëri fli Molotovin. Për këtë Hoxha shkruan në kujtimet:
       radha i erdhi Molotovit. Kjo ndodhi më 2 qershor 1956. Atë ditë gazeta «Pravda» hapej me fotografinë e madhe të Titos, me dobro pazhallovatin për mbërritjen e kreut të klikës së Beogradit në Moskë, dhe në faqen 4 mbyllej me lajmin «nga kronika» mbi heqjen e Molotovit nga posti i ministrit të Jashtëm të Bashkimit Sovjetik. Në lajm thuhej se Molotovi lirohej nga ky post «sipas kërkesës së tij», por në të vërtetë lirohej sipas kushtit të vënë nga Titoja për të ardhur në Bashkimin Sovjetik për herë të parë që nga prishja e marrëdhënieve më 1948-1949. Dhe Hrushovi me shokë e zbatuan menjëherë kushtin e vënë nga Beogradi për t’ i dhënë satisfaksion Titos meqë Molotovi bashkë me Stalinin kishin firmuar letrat që udhëheqja sovjetike i drejtoi udhëheqjes jugosllave më 1948.[clx]
      Në të vërtetë, largimi nga posti i një njeriu si Molotovi pikërisht ditën e mbërritjes së Titos në Moskë, nuk mund të mos krijonte këtë përshtypje. Hoxha e kuptonte se derisa Hrushovi bënte një koncesion të tillë për Titon, nuk e kishte për gjë të sakrifikonte Hoxhën nëse Tito ia kërkonte dhe Hoxha mendonte se Tito do t’ i kërkonte pikërisht këtë gjë. Largimi homologëve të Stalinit  ish-Sekretarë të Përgjithshëm-kryeministra, kishte filluar të bëhej një modë në 1956, në vendet satelite të Bashkimit Sovjetik. Pas polakut Bierut, i cili vdiq në mars të tij viti, në prill, bullgari Velko Chervenkov, dha dorëheqjen edhe nga posti i kryeministrit që kishte mbajtur pasi kishte lëshuar atë të Sekretarit të Përgjithshëm në 1954. Largimi i Molotovit dukej se ishte dukuri e kësaj klime politike që shkaktonte zhdukjen e «dinozaurëve» stalinianë.
      Hoxha duhet të ketë parë një ogur të keq për veten dhe një koncesion që i bëhej Titos tek fakti ditën e dytë të vizitës së Titos në Moskë, kur në sheshin qendror të Tiranës u mbajt mitungu ritualistik me rastin e përfundimit të kongresit, në emër të delegacionit sovjetik nuk foli kryetari i tij, Ponomarjov, sekretar i Komitetit Qendror, por foli Abdurahman Danjallov, një udhëheqës komunist lokal nga Dagestani, i cili tha:
       Më lejoni të përfitoj nga ky rast i lumtur për t’ ju sjellë juve përshëndetjet e përzemërta dhe urimet më të mira nga vëllaj juaj, populli i Dagestanit, fatet historike të të cilit janë shumë të ngjashme me tuajat.[clxi]
      Këto fjalë kishin sens vetëm për atë se Shqipëria tashmë ishte bërë si Dagestani një provincë sovjetike. Kjo u kuptua kur, pikërisht në qershor 1956, erdhi në Shqipëri një skuadër anijesh të flotës sovjetike të detit të Zi me në krye admiralin Kasatanov, komandant i kësaj flote. Kjo vizitë e veçantë, e cila në kohën e Stalinit një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë, paralajmëroi projektet sovjetike për ta kthyer Shqipërinë në një bazë ushtarake të tyre në Mesdhe. Edhe pse kjo ishte ajo çka kishte kërkuar me kohë Hoxha, në qershor ai do të nisej në Moskë, me një një ndjenjë ogurzezë, që iu shtua gjatë ndalimit të detyruar në Budapest ku zakonisht merrte avionin tjetër për në Moskë. Ai shkruan në kujtimet e veta për këtë:
       Në qershor të 1956-s, kur shkoja në Moskë për një mbledhje të KNER-it, pata në Budapest një bisedë me shokët e Byrosë Politike të Partisë së Punonjësve Hungarezë. Nuk i gjeta atje as Rakoshin, as Hegedushin, që ishte kryeministër, as Geron, sepse edhe ata ishin nisur me tren për në Moskë. (Në të vërtetë në Moskë as në konsultë dhe askund tjetër nuk e takova e nuk e pashë Rakoshin. Me siguri «pushonte» në ndonjë «klinikë» ku sovjetikët «e bindnin të jepte dorëheqjen». Pas dy-tri javësh ai vërtet u shkarkua nga detyrat që mbante)».[clxii]
      Rakoshi ishte i treti «dinozaur» stalinian që po zhdukej gjatë vitit 1956. Udhëtimi i Rakoshit në Moskë, për të cilin flet Hoxha do të ishte një udhëtim pa kthim. Rakoshi do të mbahej në Bashkimin Sovjetik deri në fund të jetës, kur do të vdiste në një klinikë në Tashkent, në 1971, duke u bërë i katërti udhëheqës i një vendi satelit që vdiste në Bashkimin Sovjetik, pas Dimitrovit, diktatorit prosovjetik i Mongolisë, Choibalsan, i cili kishte vdekur në Moskë, në 1952, si dhe Gotvaldit, pa përmendur këtu Bierutin që kishte vdekur para pak muajsh, pasi qe kuruar dhe nga mjekët sovjetikë. Hoxha tregon në kujtimet një episod domethënës nga qëndrimi i tij njëditor në Hungari:
       Në mbrëmje na shtruan një darkë në ndërtesën e parlamentit, në një sallë, ku binte në sy një portret i madh i Atilës, i vendosur në mur. Biseduam përsëri për gjendjen e rëndë që ziente në Hungari. Por dukej që ata e kishin humbur toruan. U them:
-Ç’ bëni kështu, si rrini duarkryq përpara këtij kundërrevolucioni që po ngrihet? Pse bëni sehir dhe nuk merrni masa?
-Ç’ masa të marrim?- tha njëri prej tyre.
-Të mbyllni menjëherë klubin «Petëf», të arrestoni krerët turbullues, të nxirrni klasën punëtore të armatosur në bulevarde dhe të rrethoni Estergomin. Në rast se nuk arrestoni dot Minxentin, po Imre Nagin pse nuk e arrestoni dot? Pushkatoni disa nga krerët e këtyre kundërrevolucionarëve që të marrin vesh disa nga krerët e këtyre kundërrevolucionarëve që të marrin vesh ç’ është diktatura e proletariatit.
Shokët hungarezë hapnin sytë dhe më shikonin me habi sikur donin të më thoshin: »Mos ke luajtur nga mendtë?».[clxiii]
      Derisa biseda e mësipërme bëhej nën portretin e Atilës, fjalët e Hoxhës dhe reagimi i udhëheqësve hungarezë fitonin një konotacion të posaçëm, duke u paraqitur Hoxha si riinkarnacion i Atilës barbar, ndërsa pasardhësit e mbretit të hunëve si njerëz të qytetëruar të shekullit XX. Udhëheqësit hungarezë duhet të kenë menduar se Hoxha, me këto mendime që kishte, nuk do të kthehej nga udhëtimi në Bashkimin Sovjetik. Edhe vetë Hoxha kishte frikë se ky udhëtim i tij në Moskë do të ishte pa kthim. Gjatë takimit me Hrushovin në Moskë, në qershor 1956, Hoxha, duke u sjellë si një Taras-Herman, i kërkoi atij:
       -Së pari- i thashë- ne dëshirojmë që ju të vizitoni Shqipërinë. Vizita juaj do të ketë rëndësi të madhe për rritjen e autoritetit dhe të prestigjit të vendit tonë.[clxiv]
      Këto fjalë qenë të llogaritura ta bënin Hrushovin të kuptonte se sa i devotshëm ndaj tij ishte Hoxha. Vazhdimi i bisedës së Hoxhës me Hrushovin ishte sa  qetësues, aq edhe shqetësues:    
       Rreth 15-20 ditë pas Kongresit të 3-të të Partisë sonë, në qershor të vitit 1956, u ndodha në Moskë në konsultë, për të cilën fola më lart ku merrnin pjesë udhëheqësit e gjithë partive të vendeve socialiste.
Atje, në prezencën e të gjithë përfaqësuesve të partive të tjera, me gojën e tij ai pohoi presionin që i kishte bërë Titoja për rehabilitimin e Koçi Xoxes e të armiqve të tjerë të dënuar në Shqipëri.
-Me Titon- tha ndër të tjera Hrushovi- biseduam për marrëdhëniet e Jugosllavisë me shtetet e tjera. Me polakët, hungarezët, çekët, bullgarët e me të tjerë Titoja ishte i kënaqur, por për Shqipërinë më foli me shumë nervozitet, me duar e me këmbë. «Shqiptarët»- më tha Titoja- nuk janë në rregull, nuk janë në rrugë të drejtë, nuk i njohin gabimet që kanë bërë, nuk kanë kuptuar asgjë nga të gjitha këto që po ngjasin. Dhe Hrushovi, duke përsëritur fjalët dhe akuzat e Titos, në fakt gjente rastin që të shfrentë mërinë dhe pakënaqësinë që kishte ndaj nesh ngaqë ne nuk e rehabilituam në Kongres Koçi Xoxen, «të cilin Titoja,- theksoi Hrushovi- e quajti patriot të madh».
-Kur fliste për shokët shqiptarë, Titoja dridhej i tëri, por unë e kundërshtova dhe i thashë se 'këto janë punë të brendshme të shokëve shqiptarë, ata do të dinë si t’ i zgjidhin'- vazhdoi të na raportonte Hrushovi, duke u përpjekur të na mbushte mendjen se kishte bërë sherr të madh me Titon.[clxv]
      Hrushovi i bëri të qartë Hoxhës se Tito kishte kërkuar eliminimin e tij dhe se tash fati i Hoxhës varej prej atij, Hrushovit. Ky ishte një presion i tërthortë, me synim afatgjatë që Hrushovi i bënte Hoxhës. Por Hoxha, me çka rrëfen më lart pohon se Hrushovi nuk ushtroi presion ndaj tij për ta larguar imediatisht nga pushteti në 1956, për arsye që i kam shpjeguar më lart. Nën dritën e paragrafit të mësipërm të kujtimeve të Hoxhës, ngjan krejt e pavërtetë ajo që thotë Hoxha në kujtimet për mbijetesën e tij politike në 1956:
       Hrushovi përdori të gjitha mënyrat: Gotvaldi vdiq. Bieruti vdiq. Gomulka e Kadari u rikthyen në fuqi. Dezhi ndërroi këmishë. Rakoshi e Çervenkovi u likuiduan. Vetëm ne nuk na likuidoi dot Hrushovi.[clxvi]
      Hoxha gjithashtu ndërroi «këmishë» si Dezhi, megjithatë kjo nuk qe arsyeja e vetme për të cilën Hoxha shpëtoi, ashtu siç nuk qe kjo arsyeja për të cilën shpëtoi Dezhi. Sipas opinionit tim, homologu rumun i Hoxhës, Georghe-Georghiu Dej (Dezh) i shpëtoi spastrimit të vitit 1956 për shkak se sovjetikët kishin vendosur që të tërhiqnin forcat e tyre ushtarake nga Rumania gjë që ndodhi në 1958, dhe i trembeshin trazirave në Rumani, si ato që ndodhën në Hungari, për shtypjen e të cilave sovjetikët duhet të çonin ushtri, gjë që nuk donin ta bënin. Arsyeja për të cilën sovjetikët e tërhoqën ushtrinë nga Rumania në 1958 është se me këtë ata kompensuan marrjen nën kontroll 100% të Bullgarisë, e cila sipas së famshmes Marrëveshje të përqindjeve, të tetorit 1944 me Churchill dhe Stalin, duhet të ishte  75%, në influencën sovjetike ndërsa perëndimorët 25%. Atëherë, Moska e kompensoi Perëndimin në Rumani ku sipas kësaj marrëveshjeje, Moska duhej të kishte 90% të influencës, ndërsa Britania e Madhe dhe SHBA 10%.[clxvii]
      Kompensimi në Rumani u bë me tërheqjen e ushtrisë sovjetike prej këtij vendi, çka më pas do t’ i mundësonte Rumanisë më pas që të bënte politikën më të pavarur ndër vendet satelite sovjetike. Sovjetikët, kur po përgatiteshin të tërhiqnin forcat e tyre ushtarake nga Rumania, kërkonin që vendi të ishte stabil dhe Dezhi e siguronte këtë gjë. Në Rumani eksperimentet qenë të patolerueshme. E njëjta gjë mund të thuhej dhe për Shqipërinë, sa kohë që sovjetikët nuk kishin vendosur ta braktisnin vendin. Kështu që Hoxha u kthye nga Moska, i bindur se nuk kishte asgjë për t’ u shqetësuar në pikëpamjen afatshkurtër për qëndrimin e tij në pushtet, por se kishte shumë për t’ u shqetësuar në pikëpamjen afatgjatë. Nëse Hoxha u kthye nga Moska pa mundur dot t’ u jepte shqiptarëve lajmin për vizitën e Hrushovit, ai në fund të qershorit i bëri shqiptarët të dalin të presin një mik të veçantë, jo më pak ekzotik se dagestanasi Danjollov, udhëheqësin koreanoverior Kim Ir Sen (Kim Il Sung), i cili vizitoi Shqipërinë. Hoxha, i cili ishte rritur në një familje që e kishte kërkuar fatin në Lindje, po e çonte këtë traditë deri në skajshmëri, duke pritur në Shqipëri udhëheqësin koreanoverior.
      Në gusht 1956, Hoxha, për herë të parë që nga prilli i vitit 1948, pati me ministrin jugosllav në Tiranë një bisedë për aspektin partiako-ideologjik të marrëdhënieve mes dy vendeve. Hoxha i drejtohet diplomatit jugosllav si “shoku ministër”.[clxviii] çka konfirmon se tashmë Hoxha e njihte Jugosllavinë si vend komunist. Në serinë e Veprave të Hoxhës teksti i kësaj bisede ka shënimin shpjegues:
       Më 4 gusht 1956, i dërguari i Jugosllavisë me porosi të KQ të LKJ në takimin që pati me shokun Enver shprehu mosaprovimin e udhëheqësve jugosllavë për vlerësimin që u bënte Partia jonë marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë të viteve 1944-1948. Ata propozonin që Partia jonë të dilte me një deklaratë zyrtare me anën e së cilës të pranonte se se vitet 1944-1948 ishin vitet e miqësisë e të marrëdhënieve të mira midis të dy vendeve dhe se në veprimtarinë e udhëheqjes jugosllave ndaj Partisë e vendit tonë nuk kishte asnjë gabim. Partia jonë i bëri të njohur udhëheqjes jugosllave se ky ishte një pretendim absurd dhe një kërkesë për të hequr dorë nga qëndrimi parimor.[clxix]
      Hoxha qe gati të bënte atë që kërkonin jugosllavët, me kusht që të gjendej dikush për t’ u ngarkuar me fajin e asaj që kishte ndodhur mes dy partive dhe dy vendeve pas prillit 1948. Por ajo që kishte ndodhur ishte se Tito e kishte braktisur Shqipërinë dhe Hoxha, i mbetur pa padron, ishte bërë antitoist stalinist. Derisa Tito nuk mund t’ i shihte gjërat kështu, atëherë duhej që fajtor të dilte Hoxha. Pikërisht këtë gjë i kërkonte tash Hoxha Titos. Hoxha nuk mund ta pranonte propozimin e jugosllavëve për deklaratën se kjo do të thoshte që të firmonte eliminimin e vetvetes. Hoxha, edhe tash tetë vjet pas prishjes do t’ i ankohej të dërguarit jugosllav se:
       Letra e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave për të sqaruar këto çështje mbeti pa përgjigje. Pse nuk u përgjigjët.[clxx]
      Hoxha e kishte fjalën për letrën që ai i çoi Titos në maj 1948 dhe për të cilën kam folur më lart në këtë libër. Më tutje, Hoxha do t’ i ankohej të dërguarit jugosllav se:
       Partia jonë dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, por redaktorët e radio Beograditedhe tani kohët e fundit akuzojnë Partinë tonë dhe personalisht mua si armiq të përhershëm të Jugosllavisë. Duhet ta dijë redaktori i radio Beogradit dhe të gjithë ata që punojnë si ai, se urdhërin që u dha Partia jonë divizioneve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare për të çliruar Malin e Zi, Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën e kam firmuar unë, po të isha unë armik i popujve të Jugosllavisë, nuk do ta bëja këtë.[clxxi]
      Hoxha këtu pohon se i ka çuar forcat partizane në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare përtej kufirit që të mund të sigurohej mbetja e tyre nën Jugosllavi. Këtu Kosova përmendet qëllimisht pas Malit të Zi, ndërsa Maqedonia nuk përmendet fare, edhe pse në territoret e banuara nga shqiptarë atje shkuan forca partizane nga Shqipëria e 1913. Hoxha në këtë takim nuk foli fare për gjendjen e popullsisë shqiptare në Jugosllavi, për genocidin ndaj tyre në vitet fund të luftës, për shpërnguljen e tyre në Turqi, për mungesën e ushtrimit të drejtave që supozohej të kishin sipas Kushtetutës së Jugosllavisë, dhe për statusin e tyre të ulët në krahasim me popujt e tjerë të federatës. Në vend të këtyre, Hoxha, si një komedian i lënduar, ankohet për një karikaturë të një gazete satirike jugosllave për të:
       kohët e fundit gazeta satirike jugosllave «Jezh» në kohën kur Mareshali Tito priti ministrin shqiptar në Beograd, nxorri një karikaturë të poshtër kundër udhëheqjes sonë.[clxxii]
      Hoxha iu ankua të dërguarit jugosllav edhe për atë se:
       Ju keni botuar materiale kundër nesh. Një letër që ju ka shkruar Nako Spiru është mbajtur e fshehur nga Komiteti Qendror i Partisë suaj, kurrse rregullisht, në rrugë marksiste-leniniste dhe në konditat e marrëdhënieve miqësore që ekzistonin në mes dy partive tona, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave duhej që menjëherë këtë letër ta denonconte pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare. Ai jo vetëm që nuk e ka bërë këtë, po bile më vonë e shfrytëzoi atë dhe me anë të Savo Zllatiçit, përfaqësues i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, i bëri shantazh Nako Spirut dhe e akuzoi përpara udhëheqjes sonë si armik.[clxxiii]
      Me këtë Hoxha iu ankua jugosllavëve se kishin konspiruar për largimin e tij nga pushteti, megjithëse ai nuk kishte bërë ndonjë gjë për të cilën ta meritonte këtë ndëshkim. Këtu ministri jugosllav i kujtoi Hoxhës se është:
       i vetmi njeri i dekoruar jashtë Jugosllavisë me urdhërin e Heroit të Popujve të Jugosllavisë.[clxxiv]
     Biseda nuk ishte konkluzive dhe vetëm sa e rriti shqetësimin e Hoxhës, aq më tepër që ai e dinte se çfarë i kishte thënë Tito Hrushovit. Hoxha, pavarësisht se shtirej si ateist marksist-leninist ishte një njeri supersticioz. Ai duhet të ketë parë një ogur të keq tek fakti që po në gusht 1956 ministri jugosllav në Shqipëri do të ishte i pranishëm, së bashku me ambasadorët e vendeve komuniste, në promovimin e ndërtesës së re të Komitetit Qendror të PPSH, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, atje ku sot është Kuvendi i Shqipërisë. Nga aparaturat e përgjimit Hoxha mësoi se diplomati jugosllav i kishte thënë si me shaka një homologut të vet të pranishëm se, sipas bestytnive ballkanase shtëpia e re sjell fatkeqësi për të zotin e saj nëse nuk flijohet një kafshë, dhe në këtë rast nuk ishte bërë një fli. Nënteksti duket se ishte se selia e re e Komitetit Qendror do të sillte fatkeqësi për Hoxhën.
      Zyra e Hoxhës në ndërtesën e re ishte në anën që shikonte nga bulevardi i madh, a thua se ai donte që të ishte në pozicionin më të përshtatshëm për të rrokur simbolikisht sëpatën-skeptër të fashizmit. Tash Hoxha dhe Shehu, i cili e kishte zyrën në ndërtesën përballë, dukej sikur mbanin bashkërisht skeptrin e rrezikshëm të pushtetit, që askush të mos e rrëmbente për ta kthyer kundër tyre. Ky dikush ishte në radhë të parë Kapo. Hoxha në shtator 1956 do të largonte rojen personale të tij Qazim Mali (Malaj) me origjinë nga fshati i Kapos, Tërbaçi, dhe kushëri i largët i këtij të fundit, të cilin e kishte pasur me vete që në kohën e luftës. Është e qartë se Hoxha kishte frikë se mos Qazim Mali bënte diçka kundër jetës së tij, i nxitur nga Kapo.
      Në 1956 Hoxha do të ndërronte dhe shefin e grupit të rojeve personale, Axhem Abazin, për ta zëvendësuar me Sulo Gradecin, me origjinë nga Skrapari, ish truproje i Shehut. Sulo Gradeci do të qëndronte pranë Hoxhës me këtë detyrë për 29 vjet, deri sa ky i fundit vdiq në 1985. Madje edhe më pas Sulo Gradeci do të shërbente pranë familjes së Hoxhës me të njëjtën detyrë deri në 1991, kur u shpërbë blloku i udhëheqjes. Pra gjithsej Sulo Gradeci shërbeu në familjen e Hoxhës për 35 vjet, duke thyer kështu në një sens edhe rekordin e Vlasikut, i cili i shërbeu Stalinit për 33 vjet. Ashtu si Vlasiku, homologu i Sulo Gradecit tek Stalini, ishte fotografi personal i këtij të fundit, dhe që ishte i vetmi që kishte leje t’ i bënte fotografi në mjedise jozyrtare ku ishte i pranishëm Stalini, të njëjtin atribut kishte edhe Sulo Gradeci në raport me Hoxhën.


[i] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 19-20
[ii] po atje: f. 65-66
[iii]Enver Hoxha: Vepra, vol 11, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 189- 190
[iv] po atje: f. 190
[v] po atje: f. 195
[vi] «PPSH: Dokumente kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol. II, f. 449
[vii] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 66
[viii]«PPSH: Dokumente kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol. II, f. 449
[ix]Enver Hoxha: Vepra, vol 10, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 473
[x] po atje: f. 473- 474
[xi] po atje: f. 482
[xii] po atje: f. 482
[xiii]po atje: f. 482-483
[xiv] po atje: f. 483
[xv] Enver Hoxha: Vepra, vol 11, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 310-311
[xvi] po atje: f. 67-68
[xvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 11, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 167
[xviii]po atje: f. 311
[xix] «PPSH: Dokumente kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol. II, f. 447-448
[xx] «Kujtime për Enverin», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1988, Vol 1, f. 423
[xxi] po atje: f. 424
[xxii]Enver Hoxha: «Raport në Kongresin III të PPSH», gazeta «Zëri i Popullit», 26 maj 1956, f. 4
[xxiii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 23
[xxiv]Enver Hoxha: Vepra, vol 11, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 181- 182
[xxv] Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1953, lista 1, Dosja 8
[xxvi]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1953, lista 1, Dosja 8
[xxvii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 27- 28 
[xxviii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 405
[xxix] «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 279
[xxx] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 555
[xxxi] Citohet sipas tekstit të autokritikës që botohet tek: Nexhmije Hoxha: «Miqësi e tradhtuar», Tiranë 2004, f. 305- 306
[xxxii]po atje: f. 321
[xxxiii]po atje: f. 322
[xxxiv]po atje: f. 307-308
[xxxv]po atje: f. 304-305
[xxxvi]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 555
[xxxvii] Citohet sipas tekstit të autokritikës që botohet tek: Nexhmije Hoxha: «Miqësi e tradhtuar», Tiranë 2004, f. 309- 310
[xxxviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 10, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 499
[xxxix]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 555
[xl] po atje: f. 555
[xli] Citohet sipas tekstit të autokritikës që botohet tek Nexhmije Hoxha: «Miqësi e tradhtuar», Tiranë 2004, f. 310
[xlii]po atje: f. 310-311
[xliii]po atje: f. 311
[xliv]po atje: f. 312-313
[xlv] Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 556
[xlvi] Citohet sipas tekstit të autokritikës që botohet tek Nexhmije Hoxha: «Miqësi e tradhtuar», Tiranë 2004, f. 326
[xlvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 11, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 258-259  
[xlviii]po atje: f. 260
[xlix]Enver Hoxha: «Raport në Kongresin III të PPSH», gazeta «Zëri i Popullit», 27 maj 1956, f. 7
[l] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 30
[li] po atje: f. 50
[lii] po atje: f. 37
[liii]po atje: f. 38
[liv]Enver Hoxha: Vepra, vol 11, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 451
[lv] po atje: f. 452
[lvi]  po atje: f. 453
[lvii]po atje: f. 456
[lviii]po atje: f. 460
[lix] po atje: f. 461
[lx] Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1961-1963», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1982, vol. 2, f. 294
[lxi]Enver Hoxha: Vepra, vol 11, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 454-455
[lxii]po atje: f. 455
[lxiii]po atje: f. 487
[lxiv]po atje: f. 487
[lxv] «Historia e PPSH», Instituti i Studimeve Marksiste- Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1968, f. 227
[lxvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 11, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 471
[lxvii]po atje: f. 455
[lxviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 12, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 53
[lxix]po atje: f. 53
[lxx] po atje: f. 53
[lxxi]po atje: f. 52
[lxxii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 102-103
[lxxiii] N. S. Hrushov: «Unë nuk jam gjykatës», Shtëpia botuese «Ombra GVG», Tiranë 2004, f. 135
[lxxiv] po atje: f. 135
[lxxv]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 108
[lxxvi]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1955, lista 1, Dosja 8
[lxxvii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1955, lista 1, Dosja 8
[lxxviii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14,Viti 1957, lista 1, dosja 24
[lxxix] Enver Hoxha: «Raport në Kongresin III të PPSH», gazeta «Zëri i Popullit», 26 maj 1956, f. 4
[lxxx]N. S. Hrushov: «Unë nuk jam gjykatës», Shtëpia botuese «Ombra GVG», Tiranë 2004, f. 147
[lxxxi]Enver Hoxha: Vepra, vol 12, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 360
[lxxxii]Enver Hoxha: «Raport në Kongresin III të PPSH», gazeta «Zëri i Popullit», 26 maj 1956, f. 4
[lxxxiii]po atje: f. 4
[lxxxiv]po atje: f. 4
[lxxxv]Enver Hoxha: Vepra, vol 12, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 332
[lxxxvi]po atje: f. 333
[lxxxvii]Nexhmije Hoxha: «Jeta ime me Enverin», Enti botues «Lira», Tiranë 1998, Vol. I, f. 298
[lxxxviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 12, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1972, f. 381
[lxxxix]po atje: f. 388
[xc] po atje: f. 392
[xci] po atje: f. 392
[xcii]Enver Hoxha: «Raport në Kongresin III të PPSH», gazeta «Zëri i Popullit», 26 maj 1956, f. 4
[xciii]po atje: f. 2
[xciv]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i Partisë, viti 1955, dosja 21
[xcv]Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme: Viti 1955, dosja 317
[xcvi]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 129
[xcvii]Enver Hoxha: «Ditar: 1955-1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 79
[xcviii]Enver Hoxha: «Raport në Kongresin III të PPSH», gazeta «Zëri i Popullit», 26 maj 1956, f. 2
[xcix]Enver Hoxha: Vepra, vol 13, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 80
[c] po atje: f. 81
[ci] po atje: f. 82
[cii] po atje: f. 123
[ciii]po atje: f. 124
[civ] po atje: f. 123
[cv] po atje: f. 123
[cvi] po atje: f. 105
[cvii]po atje: f. 106
[cviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 33, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1981, f. 120
[cix]Enver Hoxha: Vepra, vol 13, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 354
[cx] po atje: f. 353
[cxi]Enver Hoxha: Vepra, vol 30, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, f. 304
[cxii]Enver Hoxha: Vepra, vol 15, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 227
[cxiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 17, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1974, f. 121
[cxiv]Enver Hoxha: Vepra, vol 18, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 349
[cxv]Enver Hoxha: Vepra, vol 17, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1974, f.  261
[cxvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 15, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 325
[cxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 13, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 136
[cxviii]Enver Hoxha: «Ditar: 1955-1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 124
[cxix]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 174- 175
[cxx] Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1956, lista 1, Dosja 24, fleta 15
[cxxi]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 279
[cxxii]Enver Hoxha: Vepra, vol 13, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 201
[cxxiii]po atje: f. 194
[cxxiv]po atje: f. 195
[cxxv]Nexhmije Hoxha: «Jeta ime me Enverin», Enti botues «Lira», Tiranë 1998, Vol. 1, f. 320
[cxxvi]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 543
[cxxvii]po atje: f. 543
[cxxviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 13, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 202
[cxxix]po atje: f. 205
[cxxx]po atje: f. 212
[cxxxi]Enver Hoxha: «Raport në Kongresin III të PPSH», gazeta «Zëri i Popullit», 27 maj 1956, f. 8
[cxxxii]po atje: f. 8
[cxxxiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 13, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 228-229
[cxxxiv] po atje: f. 232
[cxxxv]po atje: f. 233
[cxxxvi] Enver Hoxha: «Raport në Kongresin III të PPSH», gazeta “Zëri i Popullit”, 27 maj 1956, f. 8
[cxxxvii]Enver Hoxha: «Ditar: 1955- 1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 158
[cxxxviii]Enver Hoxha: «Raport në Kongresin III të PPSH», gazeta «Zëri i Popullit», 26 maj 1956, f. 1
[cxxxix]po atje: f. 4
[cxl] po atje: f. 2
[cxli]po atje: f. 2
[cxlii]po atje: f. 3
[cxliii]po atje: f. 3
[cxliv]po atje: f. 3
[cxlv]po atje: f. 7
[cxlvi]po atje: f. 7
[cxlvii]po atje: f. 7
[cxlviii]po atje: f. 4
[cxlix]po atje: f. 8
[cl] po atje: f. 8
[cli] po atje: f. 8
[clii]po atje: f. 8
[cliii]po atje: f. 8
[cliv]po atje: f. 8  
[clv]Enver Hoxha: Vepra, vol 15, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 152
[clvi]po atje: f. 152
[clvii]Enver Hoxha: «Raport në Kongresin III të PPSH», gazeta «Zëri i Popullit», 27 maj 1956, f. 5
[clviii]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 293
[clix] po atje: f. 295
[clx] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 177
[clxi]Enver Hoxha: «Raport në Kongresin III të PPSH», gazeta «Zëri i Popullit», 4 qershor 1956, f. 3
[clxii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 251
[clxiii]po atje: f. 255
[clxiv]po atje: f. 92
[clxv]po atje: f. 192-193
[clxvi]po atje: f. 199
[clxvii]Winston Churchill: «Lufta e Dytë Botërore: Triumf dhe tragjedi», Shtëpia botuese «Fan Noli», Tiranë 2006, Vol 4, f. 306
[clxviii] Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 23
[clxix]po atje: f. 20
[clxx]po atje: f. 23
[clxxi]po atje: f. 24
[clxxii]po atje: f. 25
[clxxiii]po atje: f. 25
[clxxiv]po atje: f. 25