PJESA E SHTATË - KONSPIRATORI KREMLINIAN




1.
Misioni i parë diversiv në marrëdhëniet Hrushov- Mao Ce Dun

      Në gusht 1956 Hoxha do të nisej në atë që do të ishte udhëtimi më i gjatë i jetës së tij. Nga Tirana do të shkonte në Moskë, për të përshkruar pastaj Siberinë, me drejtim kryeqytetin mongol Ulan-Bator, për të vazhduar në kryeqytetin koreanoverior Phenian, dhe për të përfunduar në Pekin, që ishte dhe destinacioni kryesor i këtij udhëtimi, se Hoxha ishte nisur që të merrte pjesë në Kongresin VIII të Partisë Komuniste të Kinës. Vajtja e Hoxhës në Kinë, në shtator 1956, për të marrë pjesë në kongresin e partisë, ishte një lloj sfide ndaj Hrushovit, për shkak se ky i fundit, jo vetëm që nuk shkoi në Pekin, për të marrë pjesë në kongres, por dërgoi në krye të delegacionit sovjetik njeriun e pestë në hierarkinë e udhëheqjes sovjetike, ministrin e Tregtisë Mikoyan. Hrushov nuk shkoi në kongresin e partisë kineze, për shkak se Mao Ce Dun nuk kishte shkuar në Kongresin XX, që ishte mbajtur para disa muajsh në Moskë, por çoi një përshëndetje me shkrim të cilën e lexoi Cu De. Rangu i Mikoyan në udhëheqjen sovjetike përkonte me atë të Cu De. Këtu mund të shiheshin shenjat e para të dukshme të çarjes sovjeto-kineze, që kishin ardhur për shkak sa të pamundësisë, aq edhe të mosdashjes së sovjetikëve për të përmbushur ambicjet e Mao Ce Dun që Kina me ndihmën sovjetike të bëhej për një kohë relativisht të shkurtër një vend i industrializuar, i pajisur me armë bërthamore.
      Delegacioni shqiptar që shkoi në Kinë me rastin e kongresit të partisë, ishte dukshëm me profil më të lartë se ai sovjetik, jo vetëm sa i përket pranisë së Hoxhës. Ky i fundit shkruan në kujtimet:
       Në përbërjen e delegacionit Byroja politike më caktoi mua, shokët Shehu e Ramiz Alia e ministrin tonë të Punëve të Jashtme Behar Shtyllën.[i]
      Ajo që bie në sy është mungesa e Kapos, i cili duket se nuk ka parapëlqyer të shkojë duke parë profilin e ulët të delegacionit sovjetik. Hoxha dhe Shehu, me vajtjen në Kinë, në fakt nuk po kërkonin një alternativë kineze, por një alternativë sovjetike johrushoviane. Hoxha dhe Shehu nuk do të guxonin kurrë që t’ ia bënin këtë sfidë Hrushovit, në rast se nuk do të kishte njerëz në udhëheqjen sovjetike, të cilët do t’ i nxisnin të vepronin në këtë mënyrë. Në udhëheqjen sovjetike tashmë ishte duke u rritur reaksioni stalinist ndaj politikës destalinizuese të Hrushovit, dhe ishte profiluar një opozitë serioze antihrushoviane, e cila vetëm pas disa muajsh do të arrinte që ta shkarkonte Hrushovin me vota në Byronë Politike, vendim ky që u përmbys me një puç ushtarak pro Hrushovit të shkarkuar, të kryer nga Zhukovi. Sigurisht që njerëzit e grupit antihrushovian në udhëheqjen sovjetike bënin përpjekje që të siguronin mbështetës dhe në vendet satelite sovjetike. Hoxha i tërhiqte ata për faktin se ai ishte një shënjestër e natyrshme e politikës hrushoviane të ndryshimit të udhëheqësve stalinianë në vendet satelite.
      A mund të besohet se Hoxha do të guxonte që, në njëfarë mënyre, të bëhej pjesë e një konspiracioni stalinist antihrushovian në Kremlin? Këtu duhet ditur se, për politbyroistët në Moskë, për Hoxhën, si dhe për të gjithë njerëzit e kampit socialist, Hrushovi nuk ngjallte aspak frikën e Stalinit, madje shihej si një udhëheqës i përkohshëm. Pasuesi i Stalinit si udhëheqësi numër një në Kremlin kishte qenë Malenkovi, i cili kishte humbur në fillim drejtimin e partisë, në dobi të Hrushovit, dhe dy vjet pas vdekjes së Stalinit edhe drejtimin e qeverisë. Hrushovi shihej si një udhëheqës i përkohshëm, i cili do të binte nga momenti në moment prej pushtetit. Hoxha mendonte se do të qe shumë konvenuese për të, që pa marrë angazhime, të flirtonte me krahun antihrushovian stalinist në Kremlin, në mënyrë që nesër të kishte mbështetjen e tij. Që Hoxha ka pasur lidhje me këta njerëz, kjo kuptohet kur thotë, në Mbledhjen e Byrosë Politike në 13 nëntor 1956:
       Nga të dhënat që kemi ne, dimë edhe këtë gjë: anëtarët e KQ të PK të BS që ishin në vendin tonë me pushime janë shprehur kundër Titos, kundër qëndrimeve që mbahen në favor të tij, për të cilat ata kanë thënë se nuk na duken në rregull. Prandaj shokë, të qëndrojmë siç kemi qëndruar, të patundur. Dhe ne kështu do të qëndrojmë deri në fund, pa rënë në gabime. Vetëm duhet të matemi shumë, të ruajmë si kurdoherë gjakftohtësinë… Të gjithë e dinë se sa e duam ne Bashkimin Sovjetik, po edhe atje mund të gabojë ndonjë njeri, dy ose tre, por nuk është e lehtë që të gabojë e gjithë PK e BS. Ne e kuptojmë mirë se klika e Titos dëshiron izolimin tonë nga BS, që ne të biem në kundërshtim të hapët me PK të BS. Prandaj ne t’ i sqarojmë me urtësi e drejtësi mosmarrëveshjet që kemi me shokët sovjetikë.[ii]
      Hoxha e kishte me Hrushovin, por jo me Bashkimin Sovjetik, pa të cilin nuk e kuptonte dot të ardhmen e Shqipërisë, që për të ishte e pandarë nga qëndrimi i tij përjetësisht në pushtet. Kjo gjë kuptohet kur Hoxha tha në të njëjtën mbledhje:
       Të ruhemi që këto mendime tonat të mos t’ i hapim që të mos bëhen opinion përjashta, se është shumë e rrezikshme. Ne si kurdoherë te Bashkimi Sovjetik do ta përpjekim kokën, pa Bashkimin Sovjetik në vendin tonë nuk mund të ndërtohet as socializmi, nuk mund të ruhet as liria e vendit tonë dhe ne kemi besim se do të gjendet zgjidhja e kësaj çështjeje.[iii]
      Edhe Hrushovi dyshonte se Hoxha kishte lidhje me kundërshtarët e tij në Kremlin. Në një rast madje Hrushovi do t’ ia shprehte pothuajse hapur Hoxhës këtë gjë. Hoxha në kujtimet e veta tregon për një episod në një takim të tij me Hrushovin në Moskë, në gusht 1957:
       Hrushovi më tha se mareshali Zhukov, i cili do të vejë në Jugosllavi, do të vijë edhe në Shqipëri për vizitë. Më gëzoi lajmi për vizitën e Zhukovit por më bëri përshtypje reagimi që shkaktoi te Hrushovi reagimi që shpreha në këtë rast. 'Shikoni' Enverin sa i gëzuar është që do të vejë Zhukovi u tha ai shokëve.[iv]
      Zhukovi, i cili në atë kohë ishte ministër i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, e kishte ndihmuar Hrushovin në maj të atij viti që të rimerrte pushtetin me puç, pasi ishte shkarkuar nga posti në mbledhjen e Byrosë Politike. Por Hrushovit, si çdo sundimtari nuk i pëlqente të kishte pranë njerëz të cilëve u detyronte pushtetin. Kështu që edhe Hrushovit iu krijua ideja e Stalinit se Zhukovi kishte ambicje bonapartiste, pra puçiste.  Hrushovi, me një trill monarku, bën të ditur se ai e përdor Hoxhën si një lloj makine të së vërtetës për të zbuluar synimet e Zhukovit, duke e marrë si të mirëqenë se Hoxha kishte simpati vetëm për ta udhëheqës sovjetikë për të cilët mendonte se qenë kundërshtarë të Hrushovit dhe donin ta largonin atë nga pushteti. Kështu që gëzimi që shfaqi  Hoxha provonte dyshimet për Zhukovin se donte të bënte puçin për të zënë vendin e Hrushovit. Hoxha, kënaqej se do të kishte rastin të njihej mirë me udhëheqësin e ardhshëm numër një të Bashkimit Sovjetik dhe ndoshta edhe ta nxiste atë që të vepronte sa më shpejt. Zhukovi do të shkarkohej dy muaj pas kësaj bisede, pikërisht në kohën që gjendej në Shqipëri. Fjalët që i tha Hrushovi Hoxhës për Zhukovin në verën e vitit 1957, tregonin se atë e kishte prekur keq vizita e Hoxhës në Kinë një vit më parë.
      Duket se qenë pikërisht opozitarët stalinistë të Hrushovit në Kremlin ata që e nxitën Hoxhën që të shkonte në Kinë, në mënyrë që të binte më tepër në sy mungesa e Hrushovit atje. Që Hrushovi qe i pakënaqur nga vizita e Hoxhës në Kinë, kjo kuptohet nga një episod që ngjau në Tiranë atë vit gjatë festës zyrtare të regjimit, në 29 nëntor. Këtë episod Hoxha do ta rrëfente kështu në mbledhjen e Byrosë Politike, pak më tepër se një muaj më pas,në 3 janar 1957:
       kur u zhvillua mbrëmja solemne në Teatrin Popullor me rastin e 29 nëntorit, në të cilën foli shoku Beqir Balluku, Krillovi iku nga llozha e caktuar për përfaqësuesin e BRSS dhe shkoi në llozhën e ambasadorit kinez, duke ndenjur prapa krahëve të tij. Asnjë njeri nuk e pa ambasadorin sovjetik në këtë mbrëmje solemne, në një kohë që të gjithë të huajt dukeshin që ishin të pranishëm.[v]
      Me këtë gjest ambasadori sovjetik donte t’ u thoshte të pranishmëve se Moska tash e konsideronte sikur në plan të parë në Shqipëri kishte dalë Kina, ndërsa Bashkimi Sovjetik qe vënë në plan të dytë. Një tjetër episod i këtij lloji do të ndodhte të nesërmen, në vazhdim të festimeve, për të cilin Hoxha do të rrëfente në të njëjtën mbledhje:
       Të nesërmen shkuam në darkën që kishte organizuar Komiteti Qendror me rastin e festës së çlirimit dhe, si zakonisht, ambasadorin sovjetik e vumë përpara të gjithëve, të rrinte në krye, sipas traditës që është krijuar në vendin tonë për përfaqësuesit e popullit sovjetik. Megjithkëtë Krillovi qëndroi në fund. U përpoqëm për ta sjellë në krye po ai, më në fund tha se duhet të vijë edhe duajeni[vi]. Ne ju drejtuam përsëri duke i thënë se ky është vendi që i takon ambasadorit sovjetik, kurse duajeni do të qëndrojë si gjithë përfaqësuesit e tjerë të trupit diplomatik. Me zor erdhi atje ku i thamë ne, por duajenin e mori që e mori nga pas. Në mbrëmje folën shokët Haxhi Lleshi e Mehmet Shehu. Zakonisht ambasadorët sovjetikë kanë ngritur dolli në festat tona, kurse Krillovi në këtë darkë nuk ngriti asnjë dolli. Dollinë e ngriti duajeni i cili tha dy fjalë. Kur Krillovi iku mori me vete, gati në mënyrë të detyruar, edhe ambasadorin kinez, i cili i tha të mos nxitonin, pse akoma ishte shpejt, por Krillovi nuk dëgjoi. Ai iku para kohe, bile pa i dhënë dorën as kryeministrit, as shokëve të tjerë, me pretekstin se «të nesërmen kishte punë». Po kjo nuk ishte arsyeja.[vii]
      Hoxha, duke mos e mposhtur dot natyrën e vet prej komediani, e përshkruan hollësisht këtë skenë ku ai luante lakeun, të cilit ia refuzonin nderet. Përtej faktit që ambasadori sovjetik trajtohet si prokonsull, ajo që bie në sy këtu është se ai përsëri bën një gjest ku përfshin dhe ambasadorin kinez. Ambasadori sovjetik kërkonte të thoshte se mbështetja kineze nuk i vlente Shqipërisë për asgjë dhe se Kinën nga Shqipëria mund ta largonte Bashkimi Sovjetik kur të donte. Është e qartë se sovjetikët e kishin marrë për keq vizitën e Hoxhës në Kinë.
      Për të ulur disi përshtypjen e keqe që bënte në Moskë vajtja në Kinë e një delegacioni shqiptar me një profil dukshëm më të lartë se ai sovjetik, Hoxha dhe të vetët nuk shkuan në fillim në Kinë, për të shkuar më pas në Mongoli dhe në Korenë e Veriut, siç duhet të bënin sipas rëndësisë relative të vendeve, por shkuan në fillim në Mongoli dhe Korenë e Veriut e pastaj në Kinë. Në 30 gusht Hoxha së bashku me delegacioni shqiptar arriti me avion në Moskë (Tito tashmë ua kursente kalvarin detar),  ku qëndroi deri në 3 shtator, pra katër ditë. Në 3 shtator 1956 Hoxha dhe të vetët u nisën për në Mongoli ku qëndruan katër ditë, nga 3 deri në 7 shtator. Në 7 shtator Hoxha dhe të vetët arritën në Phenian, kryeqytetin e Koresë së Veriut, ku qëndruan nga data 7 deri në 13 shtator 1956.
      Hoxha rrëfen në kujtimet se si ai dhe dhe Kim Ir Sen folën për problemet e tyre si diktatorë:
       Kim Ir Seni, në bisedimet e përbashkëta që zhvilluam, na foli për një ngjarje që u kishte ndodhur në plenumin e Komitetit Qendror të partisë të mbajtur pas Kongresit të 20-të.
-Pas raportit që mbajta unë- na tha Kimi- u ngritën dy anëtarë të Byrosë Politike dhe disa anëtarë të tjerë të Komitetit Qendror dhe shtruan çështjen se mësimet e Kongresit të 20-të dhe çështja e kultit të individit te ne, në Kore, nuk janë vlerësuar si duhet, se nuk po bëhet një luftë konsekuente kundër kultit të individit etj.
'Ne- thanë ata përpara plenumit- nuk kemi rezultate ekonomike dhe politike sipas platformës së Kongresit të 20-të dhe rreth e qark Komitetit Qendror janë grumbulluar njerëz të paaftë'.
    Me një fjalë- vazhdoi Kim Ir Seni- ata atakonin vijën e udhëheqjes, unitetin e saj. Kundër tyre- përfundoi u ngrit në këmbë i gjithë Komiteti Qendror.
-Ç’ qëndrim mbajtët ndaj tyre?- e pyeta.
-I kritikoi plenumi dhe dolëm- u përgjigj Kim Ir Seni, dhe shtoi: -Menjëherë pas kësaj ata të dy u arratisën në Kinë.[viii]
      Hoxha i ofroi eksperiencën e tij Kim Ir Senit:
      Edhe te ne- i thamë- pas Kongresit të 20- të të partisë sovjetike pati një përpjekje nga elementë antiparti për të organizuar një komplot kundër Partisë dhe Komitetit tonë Qendror. Komploti ishte vepër e organizuar nga revizionistët e Beogradit, dhe ne, sapo e ndiem, menjëherë e shpartalluam.
    I folëm më poshtë për Konferencën e Partisë të Tiranës, të prillit 1956, për presionet që na u bënë dhe për qëndrimin e vendosur e të palëkundur të Partisë sonë ndaj armiqve të jashtëm e të brendshëm.
-Drejt, drejt! Përgjigjej Kim Ir Seni, ndërsa flisja unë. Nga mënyra si fliste e si reagonte ndjeva njëfarë pasigurie dhe lëkundjeje që e mundonin.[ix]
      Kim Ir Sen dhe Hoxha duket se qenë të shqetësuar për ruajtjen e pushtetit të tyre personal. Kjo ishte hera e fundit që Hoxha dhe Kim Ir Sen do të takoheshin, por ata të dy do të qenë «vëllezër siamezë» politikë se do të qëndronin në pushtet deri në vdekje: Hoxha edhe për 29 vjet, ndërsa Kim Ir Sen edhe për 38 vjet.
      Nëse Kim Ir Sen kishte qenë në Shqipëri, gjatë një turi të tij në vendet satelite sovjetike të Europës Lindore, deri atëhere Kina nuk kishte treguar asnjë interesim serioz për Shqipërinë. Edhe pse Shqipëria e njohu regjimin e Mao Ce Dun në Kinë që në tetor 1949, disa ditë pas shpalljes së tij, një ambasador kinez do të vinte në Shqipëri vetëm pas pesë vjetësh në shtator 1954 dhe që atëherë marrëdhëniet mes dy vendeve qenë minimale. Hoxha do të zbriste në tokën kineze, në aeroportin e Pekinit, në 13 shtator dhe do të qëndronte në Kinë deri në 3 tetor. Dy ditë pas arritjes së Hoxhës në Pekin, do të fillonte kongresi i komunistëve kinezë. Mungesa e Hrushovit në kongres ra bëri edhe më tepër përshtypje për faktin se në kohën që mbahej kongresi Hrushovi shkoi me pushime në Jugosllavi, ku do të kalonte disa ditë në Brioni, me Titon.
      Kur Mao Ce Dun doli në foltoren e kongresit, ditën e fillimit të tij, në 15 shtator, kjo ishte hera e parë që Hoxha e pa udhëheqësin kinez, i cili nuk kishte denjuar që ta priste në një takim kortezie edhe pse Hoxha gjendej prej dy ditësh në Pekin. Nga fjalimi i shkurtër i hapjes që mbajti Mao Ce Dun (raportin në emër të Komitetit Qendror nuk do ta mbante ai por Liu Shao Çi), Hoxha do të mësonte të vërtetën e Kinës. Mao Ce Dun tha:
       Megjithëse partia jonë ka në gjirin e saj më tepër se dhjetë milion anëtarë, ata prapë përfaqësojnë vetëm një pjesë shumë të vogël të popullsisë së vendit.[x]
      Derisa Kina atëherë kishte 600 milion banorë, kjo do të thoshte se komunistët përbënin vetëm 1.5% të popullsisë së vendit. Mao Ce Dun, pohoi gjendjen në të cilën ndodhej, Kina dhe u shpreh:
       Në luftën për transformimin e Kinës agrare e të prapambetur në një vend industrial të përparuar, ne gjendemi përpara një pune shumë të vështirë, dhe përvoja jonë është fare e pamjaftueshme.[xi]
      Nëse Hoxha nuk e kishte kuptuar gjendjen e Kinës, atë po ia thoshte vetë udhëheqësi i saj. Gjëja tjetër që do të thoshte Mao Ce Dun, duhet t’ i jepte Hoxhës të kuptonte shumë mbi thelbin e personalitetit të tij:
       Përveç karakteristikave të tjera, popullsinë 600-milionëshe të Kinës e dallon fakti që ajo është e varfër dhe si një letër e bardhë. Kjo duket si një gjë e keqe, por në realitet është një gjë e mirë… Mbi një letër të bardhë, pa shkarravitje mund të shkruhet e të vizatohet gjithshka që është më e re dhe e bukur.[xii]
      Mao Ce Dun paralajmëronte kështu se do ta fuste vendin e madh në kurs të aventurizmit utopik të tillë që madje shkonte edhe përtej atij që bëri Stalini në Bashkimin Sovjetik, pasi Mao Ce Dun nuk kishte as bazën industriale modeste që pati Stalini, as resurset që pati ai, dhe as mbështetjen e huaj ekonomike që pati ai. Në 18 shtator, në ditën e katërt të kongresit, mbajti një fjalim përshëndetës Hoxha. Ai do të fliste si një komedian i vërtetë. Edhe pse Mao Ce Dun qe shprehur me rezerva për aftësinë e udhëheqjes kineze dhe të komunistëve kinezë për të transformuar vendin, Hoxha do të ishte më optimist se homologu kinez, duke thënë:
       Partia Komuniste e Kinës, duke u mbështetur në mësimet e marksizëm-leninizmit, me urtësi po e drejton popullin kinez drejt ndërtimit të socializmit, drejt transformimit të Republikës Popullore të Kinës nga një vend i prapambetur agrar në një shtet të fuqishëm industrial.[xiii]
      Mao Ce Dun do ta priste Hoxhën ditën e katërmbëdhjetë të arritjes në Kinë, në 26 shtator. Hoxha shkruan në kujtimet për takimin:
       Mao Ce Duni na priti gjatë seancave, në një nga sallat ngjitur me atë të kongresit. Ishte hera e parë që e takonim. Kur hymë në sallën e takimit ai u ngrit në këmbë, u përkul pakëz përpara, zgjati krahun dhe ashtu, pa lëvizur nga vendi, priti sa na dha dorën e nga një buzëqeshje të gjithëve me rradhë.[xiv]
      Pra, Mao nuk i priti në selinë e Komitetit Qendror, siç duhej ta priste shefin e një partie motër në pushtet, por i priti, si delegatët nga komunat e Kinës, midis seancave në ndërtesën e kongresit. Hoxha mbeti i zhgënjyer se ai mendonte se derisa qe  ngritur e kishte shkuar nga Tirana në Pekin, duke përshkruar mijëra e mijëra kilometra, në vend që të bënte si sovjetikët të cilët kishin çuar një udhëheqës të rangut më të ulët, ai meritonte që të përfillej aq sa të pritej së paku në një drekë apo darkë nga homologu kinez. Por jo vetëm që nuk ndodhi kështu, por edhe gjatë takimit sjellja e Maos nuk ishte ajo që priste Hoxha, i cili do të shkruante për takimin:
       Sot pasdite shoku Mao Ce Dun priti delegacionin tonë. Takimi vazhdoi rreth një orë. Është hera e parë që e takoj dhe bisedoj me të... Shoku Mao Ce Dun na priti shumë ngrohtë, megjithëse nga mënyra si qëndronte e si fliste m’ u duk ca i ngurtë.[xv]
      Mao Ce Dun, edhe pse i ishte mirënjohës homologut të vet shqiptar që kishte ardhur prej shumë larg, duke sfiduar Hrushovin, nuk dinte si të sillej me të. Mao Ce Dun nuk donte ende që ta ngacmonte Hrushovin më tepër se ç’ duhej prandaj ai u soll i rezervuar me homologun shqiptar. Por Mao do ta mbante në kujtesë Hoxhën dhe kur të kishte nevojë për të do t’ i bënte një ofertë. Vizitat që Hoxha do të bënte në disa qytete dhe rajone të Kinës do t’ i jepnin atij mundësinë të shihte me sytë e tij realitetin e këtij vendi. Ai shkruan në kujtimet:
       Pas mbarimit të punimeve të kongresit na çuan për vizita në disa qytete e komuna popullore si në Pekin, Shangai, Tiencin, Nankin, Port-Artur etj., ku pamë nga afër jetën e punën e popullit kinez... Në Kinë ishte arritur të zhdukej uria masive, që kishte qenë gjithnjë plagë për këtë vend, ishin ngritur uzina e fabrika, po organizoheshin komunat, por dukej që niveli i jetesës qe akoma i ulët, larg nivelit jo vetëm të vendeve të zhvilluara socialiste, por edhe të vendit tonë.[xvi]
      E të mendosh që E. Hoxha pa pjesën më të përparuar të Kinës, «majën e ajsbergut». Ai e njohu, gjithsesi, vendin që katër vjet më pas do ta bënte aleatin e vetëm të Shqipërisë. Në kthim, Hoxha do të ndalonte përsëri në Moskë, nga 3 tetori deri në 7 tetor, kur u nis me avion për në Tiranë. Qëndrimi në Moskë për katër ditë në vajtje, dhe për katër ditë në kthim, nuk është një gjë e rastit. Sovjetikët e kanë vonuar udhëtimin e Hoxhës me avion se nuk e kanë pritur mirë vajtjen e tij në Kinë. Në 7 tetor, ditën që Hoxha u kthye në Shqipëri nga vizita në Kinë, me këtë rast në Tiranë u mbajt një miting ku ai mbajti një fjalim në të cilin tha:
       Në rrugën e ndërtimit të socializmit populli kinez ka bërë hapa viganë, si në fushën e bujqësisë ashtu edhe në atë të industrisë, tregëtisë, artizanatit, të kulturës dhe të arteve. Kolektivizimi i bujqësisë, pothuajse ka marrë fund definitivisht në të gjithë vendin. Mbi 90 përqind e industrisë dhe tregëtisë janë transformuar në socialiste, ato i përkasin shtetit të diktaturës popullore.[xvii]
      Për «hapa vigane», të bëra tashmë, nuk fliste as vetë Mao, i cili vetëm pas një viti do të shpallte politikën e «Kërcimit të Madh Përpara», i cili synonte të arrinte pikërisht atë që Hoxha e quante tashmë të kryer. Hoxha, më tutje në fjalimin e vet, do të thoshte:
       Duke i dhënë rëndësi në radhë të parë zhvillimit të industrisë së rëndë do të krijohet mundësia për industrializimin socialist të vendit. Më 1962, me prodhimet e saj, Kina do të sigurojë 70 përqind të të gjithë maqinerisë dhe pajisjeve për ndërtimin socialist të vendit.[xviii]
      Hoxha e kishte parë vetë realitetin e Kinës dhe nuk mund ta besonte këtë fantazi maoiste. 


2.
«Bomba» e nëntorit 1956 tek ambasada sovjetike: «Populli që manifestonte ka qëndruar më se gjysmë ore përpara ambasadës sovjetike, por asnjë prej punonjësve të saj nuk doli. Ka qenë zakon që në këto raste, ambasadorët e e mëparshëm si Çuvakini e Leviçkini të dilnin në ballkon të ambasadës dhe të përshëndetnin me dorë, por Krillovi nuk e bëri një gjë të tillë».

      Zhurma e tankeve sovjetike në rrugët e Budapestit, në nëntor 1956, do të ishte një muzikë e vërtetë divine- në sensin e divinitetit materialist marksist- për veshët e Hoxhës. Tashmë Hoxha mendonte se edhe nëse në Moskë kishte pasur ndonjë ide sado të vogël për largimin e tij imediat nga pushteti, kjo ishte zhdukur tashmë. Megjithatë, atëherë kur Hoxha e priste më pak, tre ditë pasi tanket sovjetike msynë në rrugët e Budapestit, në 7 nëntor 1956, sovjetikët do të bënin një gjest publik mospëlqimi ndaj Hoxhës, që për të do të ishte ekuivalenti i një bombe tek Ambasada sovjetike. Për këtë Hoxha do të thoshte në mbledhjen e Byrosë Politike dy muaj më pas, në janar 1957:
       me rastin e 39-vjetorit të Revolucionit të madh socialist të Tetorit u organizua në Tiranë një manifestim masiv prej 50-60 mijë vetësh. Ambasada sovjetike ishte lajmëruar me kohë për këtë manifestim. Po ç’ ndodhi? Populli që manifestonte ka qëndruar më se gjysmë ore përpara ambasadës sovjetike, por asnjë prej punonjësve të saj nuk doli. Ka qenë zakon që në këto raste, ambasadorët e e mëparshëm si Çuvakini e Leviçkini të dilnin në ballkon të ambasadës dhe të përshëndetnin me dorë, por Krillovi nuk e bëri një gjë të tillë. Megjithkëtë, një delegacion që doli nga masa shkoi dhe hyri në ambasadën sovjetike për të uruar me rastin e festës. Në krye të delegacionit ishin sekretarët e komitetit të Partisë të Tiranës e shokë të tjerë. Krillovi u bë i sëmurë dhe nuk doli derisa manifestuesit u larguan.[xix]
      Një gjë të tillë ambasadori sovjetik mund ta bënte vetëm me urdhër të Moskës. Ky ishte reagimi i Hrushovit ndaj vizitës së Hoxhës në Kinë. Megjithatë, Hoxha kishte përfituar nga ngjarjet në Hungari, mbi të gjitha me prishjen e përkohshme të Hrushovit me Titon. Hrushovi thotë në kujtimet e veta:
       Pas likuidimit të rebelimit kundërrevolucionar në Hungari, përsëri u përkeqësuan marrëdhëniet me Jugosllavinë.[xx]
      Një javë pas ndërhyrjes ushtarake sovjetike në Hungari, Tito mbajti një fjalim në një mbledhje partiake në Pula të Istrias, ku pasi dënoi ndërhyrjen sovjetike në Hungari, u shpreh për udhëheqjen sovjetike:
       Në Kongresin XX të PKBS të gjithë çështjen e shtruan në mënyrë të gabuar, si çështje të kultit të individit dhe jo si çështje të sistemit. Kulti i individit është pikërisht produkt i një sistemi. Ata nuk filluan luftën kundër këtij sistemi.[xxi]
      Tito sulmoi personalisht Hoxhën dhe Shehun:
       Enver Hoxha dhe Mehmet Shehrat, të cilët po kundërshtojnë demokratizimin dhe vendimet e Kongresit XX, kanë influencuar në fuqizimin e sistemit të Stalinit dhe sot po punojnë që ky sistem të rilindë dhe të dominojë përsëri. Kjo gjë duhet të riparohet.[xxii]
      Tito, qartësisht, po i kërkonte përsëri Hrushovit që të largonte Hoxhën dhe Shehun nga pushteti. Hoxha nuk iu përgjigj Titos publikisht, se Hrushovi e kishte ndaluar këtë gjë, por vendosi t’ i përgjigjet duke vrarë (gjyqet e regjimit qenë vrasje politike të kamufluara me procedurë juridike) bashkëshortët Liri Gega dhe Dali Ndreu, të cilët tashmë qenë arrestuar. Hoxha me këtë donte t’ i tregonte udhëheqjes dhe nomenklaturës së regjimit, se ai përsëri ishte në gjendje të eliminonte fizikisht njerëz me poste të larta, në mënyrë që t’ i trembte. Hoxha shkruan në kujtimet:
       Kur organet tona i kapën në flagrancë Dali Ndreun e Liri Gegën e i vunë në bankën e të akuzuarve, jugosllavët u hodhën përpjetë, por u hodh përpjetë edhe Hrushovi. Ky, me urgjencë, i dërgoi radiogram ambasadorit sovjetik në Tiranë, Krilovit, që të ndërhynte tek unë për të mos i dënuar armiqtë e tradhtarët. Ishin tamam ato ditë të nëntorit 1956 kur, siç thashë më lart, Titoja mbajti fjalimin famëkeq në Pula ku, midis të tjerash, bëri thirrje hapur për rrëzimin e udhëheqjes së PPSH dhe për dënimin tim. Hrushovi e dërgoi Krilovin me dy porosi kryesore: të mos i përgjigjeshim ashpër fjalimit të Titos dhe të mos dënonim agjentët e kapur që po jepnin llogari para gjyqit të popullit. Ua dhamë përgjigjen Hrushovit e Titos shumë shpejt: për porosinë e parë botuam artikuj në shtyp ku, ndaj Titos, titizmit dhe fjalimit të Puljes, i ndezëm të gjitha bateritë; për porosinë e dytë u dhamë agjentëve e tradhëtarëve dënimin që meritonin.[xxiii]
      Në të vërtetë, Hrushovi duhet të ketë kërkuar vetëm të parën, pra që Hoxha personalisht të mos i përgjigjej Titos, se, sa për të dytën në atë kohë që ushtria sovjetike në Hungari po vriste me mijëra veta, dhe kur Imre Nagi do të pushkatohej nga sovjetikët, nuk duket e besueshme që sovjetikët t’ i kenë kërkuar që të mos dënohen Liri Gega dhe Dali Ndreu. Madje e kundërta ngjan e vërtetë, që sovjetikët të kendë miratuar mendimin e Hoxhës se në këtë situatë duhej të priteshin koka, për t’ u bërë shembull. Sa për kërkesën e Hrushovit në lidhje me qëndrimin ndaj Titos, Hoxha përgënjeshtron veten, kur shkruan në të njëjtin libër me kujtime:
       Duhet thënë se në atë periudhë Hrushovi me shokë nuk e kishin më aq grurë me Titon, miqësia sikur ishte ftohur ca. Titoja kishte mbajtur ndërkohë fjalimin e tij famëkeq të Pulas, i cili kishte ngjallur mjaft reagime kundërshtuese në shumë vende të kampit socialist... «Pravda» kishte botuar në atë kohë edhe një artikull timin ku në terma të ashpër sulmohej «socializmi specifik» jugosllav dhe tellallët e tij.[xxiv]
      Hoxha të krijon komoditet kur e studion, se ka vetinë që përgënjeshtron vetveten. Në lidhje me çështjen e Dali Ndreut dhe të Liri Gegës, Hoxha do të thoshte në fjalimin e vetes në mbledhjen e partive komuniste e punëtore në Moskë, në nëntor 1960:
       Agjentët e tjerë të rrezikshëm të Titos në Shqipëri, Dali Ndreu dhe Liri Gega, morën urdhër nga Titoja të arratiseshin në Jugosllavi se «ishin në rrezik» dhe se veprimet kundër Partisë sonë «duheshin organizuar nga territori jugosllav». Partia ishte plotësisht në dijeni të veprimtarisë dhe të urdhrit sekret të Titos. Ajo ishte vigjilente dhe i kapi tradhtarët mu në kufi, kur tentonin të arratiseshin. Tradhtarët shkuan në gjyq dhe u pushkatuan. E gjithë agjentura jugosllave që pregatiste kundërrevolucionin në Shqipëri u zbulua dhe u asgjësua. Për çudi shoku Hrushov doli përpara nesh në mbrojtje të këtyre tradhtarëve dhe agjentëve jugosllavë: ai na akuzoi ne se gjoja kishim pushkatuar agjenten jugosllave, tradhtaren Liri Gega, «kur ajo ishte me barrë gjë që nuk ndodhte as në kohën e carit dhe kjo kishte bërë figurë të keqe në opinionin botëror». Këto ishin shpifje të jugosllavëve, te të cilët shoku Hrushov kishte besim më shumë se te ne».[xxv]
      Nuk duket e besueshme që Liri Gega dhe Dali Ndreu të provonin të arratiseshin në Jugosllavi, kur ata e dinin shumë mirë se survejosheshin. Gjithashtu nuk duket e besueshme që Tito po e përgatiste kundërrevolucionin, siç e quan Hoxha, në Shqipëri, me Liri Gegën dhe Dali Ndreun, të cilët prej kohësh nuk mbanin më poste të larta, çka u hiqte mundësinë që të bënin ndonjë gjë të madhe për përmbysjen e regjimit. Nuk rezulton që bashkë me ta të zbulohej dhe të dënohej ndonjë shtab i kundërrevolucionit për të cilin flet Hoxha. Është e habitshme që Dali Ndreu akuzohej tash si agjent jugosllav, kur ai ishte përjashtuar dikur nga Komiteti Qendror si antijugosllav, për shkak se kishte thënë në Plenumin V të Komitetit Qendror, në shkurt 1946:
       Ne bëjmë një politikë që frymëzohet nga Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik, por duhet të bëjmë një politikë nacionale të adaptuar nevojave dhe konditave të vendit.[xxvi]
      Sa për atë që thotë Hoxha se Hrushovi u besoi më shumë jugosllavëve për atë nëse Liri Gega ishte shtatzënë apo jo, këtë Hrushovi mund ta dinte dhe nga sovjetikët të cilët qenë në Tiranë. Hoxha, pas fjalimit të Titos deshi të krijojë përshtypjen, para së gjithash tek sovjetikët, se kishte rrezik të ndodhte ndonjë tentativë nga Perëndimi për përmbysjen e regjimit të tij, ndaj reagoi duke fuqizuar regjimin policoro-ushtarak në vend. Sipas raportimit të zëvendëskryeministrit Beqir Balluku, që mbulonte në qeveri ushtrinë dhe organet e punëve të brendshme:
       shtuam forcat e ndjekjes, se në këtë situatë armiqtë mund të hedhin parashutistë e të mos gjendemi në befasi. U kthyen në këto reparte ata që ishin partizanë të vjetër dhe thirrjen e kanë pritur me entusiazëm. Një masë tjetër është pezullimi i çmobilizimit të zakonshëm të ushtarëve të vjetër në mënyrë që trupat tona të jenë në gadishmëri luftarake. Në të gjitha drejtoritë dhe degët e punëve të brendshme janë marrë të gjitha masat për të përballuar ndonjë situatë që mund të ndodhë. Sigurisht këto masa do të kenë edhe efekte materiale e monetare, po janë të nevojshme.[xxvii]
      Në fakt, qëkurse Shqipëria kishte hyrë në Traktatin e Varshavës, Perëndimi nuk mund të ndërmerrte më veprime të tilla që i kishte bërë më parë. E shumta që bënte Perëndimi qenë gjeste si ai në 28 nëntor 1956, kur Departamenti i Shtetit i SHBA në përshëndetjen që iu përcoll shqiptarëve me anë të Radio “Zëri i Amerikës”, tha:
       Bota e lirë e kupton gjendjen e tashme të Shqipërisë, vuajtjet e popullit të saj dhe do të jetë e lumtur kur Shqipëria do të bëhet e pavarur përsëri, si dhe do të gëzojë lirinë.[xxviii]
      Përgënjeshtrimi më i mirë që i bën Hoxha vetvetes, për ato që thotë se në nëntor 1956 u konfliktua me Hrushovin, për cështjen e qëndrimit ndaj Titos dhe për dënimin e Liri Gegës e Dali Ndreut, është kur përshkruan pritjen që i bënë në Bashkimin Sovjetik gjatë vizitës së tij atje në dhjetor 1956:     
       S’ ishim çlodhur akoma mirë nga udha, kur na lajmëruan se Presidiumi i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik kishte shtuar një darkë për nder të delegacionit tonë... Ne qemë edhe të lodhur nga rruga, por sigurisht vajtëm në këtë «darkë» që filloi në drekë, aty nga ora katër pasdite. Ishin me sa më kujtohet, të gjithë anëtarët e Presidiumit veç Brezhnjevit, Furcevës e ndonjë tjetri. Darka vazhdoi disa orë dhe Hrushovi e të tjerët u përpoqën të krijonin atmosferë që të dukje sa më miqësore. Gati të gjithë pjesëmarrësit ngritën dollira (vetëm Hrushovi ngriti nja pesë a gjashtë) dhe në mes tosteve thuheshin fjalë të mira për Partinë tonë, për Shqipërinë dhe lëvdata për mua posaçërisht.  Veçanërisht i zellshëm qe në këto lëvdata Pospjelovi, i cili në maj, kishte qenë në Kongresin e Partisë sonë.[xxix]
      Kjo pritje mund të bëhej vetëm në rast se sovjetikët qenë të pakënaqur me Hoxhën vetëm për shkak të vizitës së tij në Kinë dhe jo për ndonjë çështje tjetër. Pasi sovjetikët mendonin se e kishin qortuar mjaftueshëm Hoxhën për vizitën që bëri në Kinë, tashmë donin ta merrnin me të mirë, për shkak se tashmë shërbimet e tij u duheshin për një projekt të tyre në Shqipëri, për të cilin Hoxha, në raportin që mbajti në mbledhjen e Byrosë Politike në janar 1957, me titull «Mbi bisedimet që u zhvilluan në Moskë midis delegacionit të PPSH dhe udhëheqësve të PK të BS», do të thoshte:
       Kur filloi darka, akoma pa ngritur dollinë, Hrushovi tha: ‘Mesdheun duhet ta kemi tonin, ta kemi nën kontrollin tonë dhe çdo lidhje ta bëjmë nëpërmjet Shqipërisë, ku të krijojmë baza të forta nëndetësesh, sepse Shqipëria është e vogël, por ka rëndësi shumë të madhe strategjike. Me instalimet e vendosura në Shqipëri shikohet tërë Mesdheu, të tëra lëvizjet e aeroplanëve etj’. Hrushovi insistoi shumë për këtë çështje dhe pastaj, duke ngritur dollinë, ai foli për nevojën e vlerësimit të drejtë të situatës që zhvillohet në botë.[xxx]
      Këtu Hoxha nuk e kundërshtoi aspak këtë ide të Hrushovit për kontrollin e Mesdheut nga Shqipëria, për të cilën më pas do të shtirej shumë i indinjuar. Tashmë që Hrushovi parashtroi idenë e tij për ndërtimin e një baze ushtarake sovjetike në Shqipëri, për Hoxhën u krijua një situatë e ngjashme si në kohën kur Tito i kërkoi që forcat ushtarake jugosllave të vinin në Shqipëri. Ashtu si atëherë, Hoxha mund të ishte i sigurt se do të qëndronte në pushtet derisa të bëhej kjo gjë, pavarësisht nëse Hrushovi vazhdonte të ishte i ftohur me Titon, apo pajtohej me të. Gjatë bisedës Hrushovi e mbylli çështjen e marrëdhënieve me Titon me një batutë, që duhej të tregonte se ai e dinte sit a trajtonte Titon:
      Edhe ju jeni të thinjur, por edhe ne jemi tullacë.[xxxi]
      Për ta marrë me të mirë Hoxhën, Hrushovi nuk mungoi ta befasonte me gjeste teatrale, për çka cilat Hoxha rrëfen:
       Delegacionin tonë e ftuan edhe në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror të PK të BS që u zhvillua për çështjet ekonomike. Shokët sovjetikë na thanë se është hera e parë që përfaqësues të një partie motër marrin pjesë në një mbledhje të plenumit të tyre.[xxxii]
      Edhe Hrushovi kishte një sens prej komediani dhe luante me Hoxhën duke i krijuar skena të tilla për ta kënaqur. Dhe Hoxha ishte më i kënaqur se kurrë nga Hrushovi.


3.
«Për ta bërë Shqipërinë një xhevahir i cili të joshte botën myslimane, veçanërisht Lindjen e Afërme dhe Afrikën drejt komunizmit».

      Hrushovi, njeriu të cilin Hoxha do ta stigmatizonte më së tepërmi si përgjegjësin për kthesën antistaliniste në Bashkimin Sovjetik, do të ishte në fakt i vetmi udhëheqës sovjetik që do të kishte një projekt për sponsorimin e utopisë në Shqipëri. Hrushovi thotë në kujtimet e veta:
       Por ne donim që të ndihmonim për ta ngritur ekonominë shqiptare në nivelin bashkëkohor, për ta bërë Shqipërinë një xhevahir i cili të joshte botën myslimane, veçanërisht Lindjen e Afërme dhe Afrikën drejt komunizmit.[xxxiii]
      Kjo ishte në pajtim me filozofinë e Hrushovit, të shprehur në Kongresin XX, të kalimit paqësor në socializëm, falë fitores së modelit socialisto-komunist në garën me atë kapitalist. Hrushovi vështirë se besonte vërtet në këtë gjë, por ai e shikonte këtë si një alternativë ndaj mosveprimit, derisa nuk guxonte t’ i ngacmonte SHBA tepër, duke sponsorizuar kryengritjet komuniste në botën muslimane. Ajo çka i ikte analizës risk-përfitim të Hrushovit ishte se përdorimi i Shqipërisë në këtë mënyrë e bënte atë një rrezik për SHBA sipas Doktrinës «Eisenhower», e cila ishte shpallur në 5 janar 1957, në një mesazh të presidentit amerikan për Dhomën e Përfaqësuesve. Sipas Doktrinës “Eisenhower”, SHBA do t’ u jepnin ndihmë ushtarake dhe ekonomike vendeve të Lindjes së Mesme për t’ i mbështetur ato në përballimin e agresionit komunist. Për Hoxhën roli që i kishte caktuar Hrushovi ishte një fatmirësi e papritur dhe ai do të vinte të gjithë talentin e vet prej komediani për ta bërë sa më mirë atë. Hoxha tha në fjalimin e vet në Plenumin III, në 13 shkurt 1957, pas kthimit nga Moska:
       Ne mendojmë se Shqipëria i intereson në mënyrë të veçantë popujve arabë për disa arsye të posaçme, por të një rëndësie të dorës së parë… Për opinionin e vendeve arabe është interesant fakti se si në demokracinë popullore të Shqipërisë, ku popullsia në shumicën dërmuese ka qenë e besimit musliman dhe ku shumë zakone e mënyra jetese kanë qenë të ngjashme me të atyre (pse si ne dhe ata kemi vuajtur nën zgjedhën e egër të osmanllinjve shekuj me radhë), është bërë ky përparim i madh, janë zhdukur mbeturinat e këqia të së kaluarës së hidhur, është zhdukur analfabetizmi, është krijuar një industri moderne socialiste, po ndërtohet rendi socialist në fshat dhe gratë kanë hequr perçen dhe shteti, duke qenë afetar i vendosur, toleron dhe nuk prek fenë dhe ndjenjat e besimit të popullit. Të gjitha këto dhe të tjera krijojnë në opinionin përparimtar arab interesim për vendin tonë dhe njëkohësisht një dashuri e simpati të madhe për popullin tonë. Ne i kemi tani të gjitha mundësitë ta bëjmë tani të njohur edhe më shumë realitetin tonë shqiptar në vendet arabe etj., dhe sigurisht me forcat tona të japim dhe ne kontributin tonë modest në çelnikosjen e miqësisë së këtyre popujve me popujt e kampit socialist. Shembulli i Shqipërisë u shërben këtyre vendeve që ta shohin se marksizëm-leninizmi është fari ndriçues i jetës së begatshme e të lirë të popujve.[xxxiv]
     Hoxha e tha në fund atë që ishte kryesorja, funksionin në dobi të propagandës sovjetike të këtij roli të Shqipërisë. Komediani ishte i lumtur se i ishte dhënë një rol në skenën ndërkombëtare. Gjëja më e rëndësishme për Hoxhën në rolin e ri që Hrushovi i dha Shqipërisë ishte se tashmë Hoxha fitonte në raport me Moskën një imunitet politik të cilin nuk e kishte pasur më parë. Hoxha e kuptoi se Hrushovi nuk mund të sillej tash me të si me Rakoshin, apo edhe si me Bierutin, pikërisht për faktin se Hoxha ishte musliman, dhe një sjellje e tillë e Hrushovit me udhëheqësin e «xhevahirit» që duhet të bënte për vete botën islame, do të bënte një përshtypje të keqe atje. Kjo nuk do të thoshte se nuk ekzistonte ende rreziku për Hoxhën që Hrushovi ta detyronte të largohej nga pushteti në një mënyrë ose në një tjetër. Gjithsesi tash e tutje Hoxha do t’ i lejonte vetes që të fliste me Hrushovin në një mënyrë që nuk do të kishte guxuar ta bënte më parë. Hrushovi do ta toleronte për një periudhë këtë mënyrë sjelljeje të Hoxhës se e kuptonte se ajo nuk shprehte kundërshtimin e Hoxhës për pozitën prej vasali të Shqipërisë ndaj Bashkimit Sovjetik, por shqetësimin e Hoxhës për pushtetin e vet personal.
      Vizioni i Hrushovit i Shqipërisë-xhevahir ishte ai i një vendi të zhvilluar blegtoral. Hoxha, i cili deri disa vjet më parë kishte postuluar zhvillimin e Shqipërisë, me bazë industrinë e rëndë, sipas modelit stalinian, tash filloi të postulonte të kundërtën e saj, Shqipërinë blegtorale. Për këtë gjë Hoxha do të thoshte në fjalimin e vet në Plenumin III të KQ në shkurt 1957:
       Ne jemi një vend blegtoral. Këtë gjë na e kanë theksuar dhe miqtë.[xxxv]
       Më pas Hoxha do të shprehej me ashpërsi ndaj Hrushovit, i cili i kishte sugjeruar një gjë të tillë. Hoxha, me sensin e vet teatral, për të lajkatuar Hrushovin, mbajti në qershor 1957 konferencën nacionale për blegtorinë. Konferenca ishte konceptuar si një spektakël ku Hoxha kishte rolin kryesor. Ai në fjalimin e vet pohoi dështimin e regjimit në këtë degë tradicionale të ekonomisë shqiptare, kur tha:
       Ne themi se në vendin tonë kemi shumë bagëti. Por nuk është kështu. Për çdo 12 banorë ne kemi një lopë, çdo banori i bie 1 e ¼ e deles. Kjo është shumë pak.[xxxvi]
      Ai që kishte thënë se Shqipëria tashmë kishte shumë bagëti kishte qenë i pari vetë Hoxha, i cili kështu po përgënjeshtronte vetveten. Gjëja më e turpshme për regjimin ishte se Shqipëria kishte për frymë të popullsisë më pak bagëti se në 1938. Në 1958 Hoxha, i dha një komunisti finlandez të cilin e priti në Tiranë, këto të dhëna për blegtorinë shqiptare:
       Në fund të 1957 ne kemi pasur mbi 405 mijë gjedhë, mbi 1.6 milion krerë dhen, rreth 1.1 milion dhi, mbi 17 mijë dosa, mbi 1.2 milion shpendë.[xxxvii]
      Por sipas shifrave që kishte dhënë vetë Hoxha në Kongresin I, në 1948, në 1938 Shqipëria kishte 418 mijë gjedhë (lopë dhe qe), 1 milion e 850 mijë dhen, 1 milion e 550 mijë shpendë.[xxxviii]Kështu del se Shqipëria në fund të vitit 1957 kishte 13 mijë gjedhë, 250 mijë dhen dhe 350 mijë shpendë  më pak se në 1938. Kjo do të thoshte se 13 vjet pas ardhjes në fuqi të regjimit të Hoxhës, blegtoria ishte më keq se në 1938, madje edhe se në 1945. Hoxha kishte thënë në Kongresin I se që në vitin 1945 Shqipëria i rikuperoi humbjet që kishte patur gjatë luftës në bagëti. Kjo do të thoshte se blegtoria shqiptare që nga viti 1946 deri në 1957, për 11 vjet, ishte rritur më pak se në 1944-1945! Çfarë kishte ndodhur? Blegtoria shqiptare e kishte pësuar se në vitin 1946 fshatarësia u ngarkua me detyrimet e rënda në mish ndaj shtetit, të llojit të «komunizmit të luftës», të cila në një masë apo në një tjetër vazhdonin ende. Sa për sektorin shtetëror në bujqësi ai do të mbetej deri në fund katastrofal. Shifra mjaft instruktive krahasimi me vitin 1938, të cilat në kohën kur u thanë nuk u bënë të ditura për publikun, do të jepte Hoxha në nëntor 1958, në Plenumin XI të Komitetit Qendror, ku mbajti raportin «Mbi masat që duhen marrë për shtimin me ritëm të shpejtë të prodhimit të mishit dhe të qumështit», në të cilin tha:
       Në krahasim me vitin 1938, në vitin 1957, prodhimi i mishit është rritur 27 400 ton në 33 600 ton peshë e gjallë ose 23 përqind më shumë se në vitin 1938. Këtu ndikon sidomos rritja e prodhimit të mishit të derrit dhe të gjedhit. Të njëjtat gjëra duhen thënë edhe për qumështin. Në vitin 1938 është prodhuar 128.770 ton qumësht, ndërsa më 1957 u prodhuan 160 500 ton, ose 25 përqind më shumë se në vitin 1938… Rritja e prodhimit të mishit dhe të qumështit është në fakt më e vogël se rritja e popullsisë së vendit, e cila në vitin 1957 është rritur 40.5 përqind më shumë se në vitin 1938.[xxxix]
      Nëse shifrat e vitit 1938 duhen marrë me rezervë, në sensin që sasia e prodhimit është zvogëluara, për efekt të evazionit fiskal, shifrat e vitit 1957 duhen marrë me rezervë si të rritura për efekt propagandistik. Në realitet, jo vetëm për frymë, por edhe në shifra absolute, në 1957 prodhohej më pak mish dhe qumësht se në 1938, dhe definitivisht më pak se në 1942, në vitin më të mirë për ekonominë shqiptare në përgjithësi, që prej krijimit të shtetit shqiptar. Megjithatë, edhe ashtu siç janë shifrat flasin vetë. Regjimi komunist po e frenonte zhvillimin e bujqësisë shqiptare që kishte filluar që para Luftës së Dytë Botërore dhe kishte vazhduar edhe gjatë saj, për shkak të situatës së qetë që kaloi Shqipëria për pjesën më të madhe të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Por edhe çështja e rritjes së popullsisë nuk është saktësisht ashtu siç thotë Hoxha. Popullsia e Shqipërisë vazhdoi të rritej edhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore dhe në 1945 Shqipëria kishte më shumë banorë se në 1938.
      Ishte dashur që Hrushovi të kishte idenë e Shqipërisë blegtorale që Hoxha të pohonte me gojën e tij të vërteta, të cilat përndryshe nuk do t’ i thoshte kurrë, si ajo që tha në fjalimin e vet në konferencën për blegtorinë, në qershor 1957:
       në vendin tonë për çdo frymë prodhohet 10-11 kilogram mish në vit. E ç’ është kjo? Asgjë. Qumësht prodhohet 90-95 litra, kurse vezë 70-75 kokrra në vit.[xl]
      Hoxha, kur i thoshte këto fjalë nënkuptonte se tash që blegtoria do të kishte prioritet në ekonomi, gjërat do të shkonin krejt ndryshe, por ajo çka ishte e sigurt, qe se ai pohonte nivelin e jetesës së popullit. Shifrat që jepte Hoxha nuk tregonin masën e konsumit mesatar të popullsisë se pjesën më të mirë të mishit, qumshtit, vezëve e konsumonte nomenklatura dhe të ftuarit e huaj që vinin të shikonin «xhevahirin». Prioritet kishte furnizimi i nomenklaturës në familje, shtëpi pushimi, shtëpi pritjeje, shtëpi oficerësh, në mënyrë legale dhe ilegale. Në restorante pjatat që i shkonin klientëve të ndryshëm nuk qenë njëlloj dhe pse ata paguanin njëlloj. Kur klienti ishte njeri i nomenklaturës pjatat i shkonin me një mbingarkesë sa dy-tre fishi i asaj që kishte paguar, ndërsa tjetrit më pak se ç’ kishte paguar.
      Hoxha i shndërruar në propagandist hrushovian të Shqipërisë blegtorale do të ekzagjeronte deri në absurd, duke thënë:
       Prindërit tanë gjithnjë kanë rritur bagëti. Në vendet e tjera nuk gjen çobanë të tillë si te ne që të kenë një dashuri kaq të madhe për bagëtitë.[xli]
      Hoxha tashmë do të bëhej për disa kohë një «specialist» i blegtorisë. Sipas stilit udhëheqësve komunistë, të cilët donin të krijonin përshtypjen se e njihnin thellësisht dhe drejtonin krejtësisht ekonominë e planifikuar, edhe Hoxha do të hynte deri në detajet e imta të ekonomisë. Por Hoxha kishte vetinë se këtë rol e bënte në mënyrë groteske. Kështu, në shkurt 1957, Hoxha tha në Plenumin III të Komitetit Qendror:
       Të marrim rritjen e deles. Këtu nuk është çështja si t’ i futet shiringa deles, as t’ i themi atij që mëson se si ta presë qengjin që lind, por në radhë të parë duhet t’ i mësojmë çobanët që ata të bëhen mjeshtra të këtyre punëve sepse nga ata varet nëse do të rrojë apo do të ngordhë qengji. Është thelluar vallë Ministria e bujqësisë që ta bëjë një gjë të tillë me këta çobanë nga të cilët varet fati i bagëtisë sonë?[xlii]
      A nuk e kuptonte udhëheqësi suprem i vendit se kishte një kufi deri ku duhet të shkonte okupimi i tij me detajet e ekonomisë, duke arritur të merrej me gjëra me të cilat duhet të merreshin veterinerët e thjeshtë të fshatrave? A nuk e kuptonte se përtej një kufiri ai bëhej qesharak? A nuk e kuptonte se kur udhëheqësi suprem i vendit  merrej me këto gjëra, ai nuk bënte gjë tjetër veçse zbulonte se ajo çka ishte e gabuar ishte në të vërtetë në thelbin e sistemit? Kjo kuptohet kur Hoxha thotë pikërisht në në Plenumin III, në shkurt 1957:
       Ne edhe përpara kemi ndarë damazë për të përmirësuar racën e lopës, hapëm gjithë ato stacione ndërzimi, po arritëm deri atje saqë për këto stacione, shumë nga të cilat bile ishin bërë ndërtesa të bukura, të paguanim rroga për ata që rrinin e ruanin damazët, të harxhonim gjithë ato fonde për damazë e më në fund i mbyllëm. Kjo eksperiencë bile është një eksperiencë shumë e hidhur dhe duhet të na bëhet mësim i mirë tani që do të hapim gjithë këto stacione me kaq damazë.[xliii]
      Këto qenë çuditë e ekonomisë së planifikuar e cila ishte një humnerë që përpinte të gjitha investimet që bëheshin, duke i shndërruar në monumente të absurdit të saj. Por Hoxhës aq i bënte për këtë, sa kohë që ai rrinte në pushtet. Faza e Shqipërisë blegtorale, e utopisë do të kishte plot shfaqje të teatrit politik, siç qe Konferenca kombëtare për shtimin dhe përmirësimin e lopës, në mars 1958, ku përsëri rolin kryesor e pati Hoxha, i cili në fjalimin e vet tha truizma banale blegtorale:
       Lopa, siç do qënie e gjallë, në fazat e ndryshme të zhvillimit të saj kërkon kujdes dhe trajtim të ndryshëm. Kështu, kur viçi është i porsalindur, ka një trajtim dhe të ushqyer të posaçëm, kur rritet, një trajtim tjetër, dhe kur bëhet mëshqerrë e më vonë lopë, kujdesi ndryshon, ndryshojnë edhe kërkesat për ushqim dhe mbarështrim në përgjithësi.[xliv]
      Pastaj Hoxha iu rikthye temës së parapëlqyer të damazëve, demave të ndërzimit:
       Shumë nga ju janë penduar që nuk i kanë trajtuar mirë demat e racës dhe nuk i kanë shfrytëzuar ata, me qëllim që sot të kishim më shumë lopë të përmirësuara dhe me prodhimtari të lartë. Tani t’ i vini gishtin kokës, t’ i trajtoni drejt damazët dhe t’ i rritni me kujdes të veçantë viçat që lindin nga kryqëzimet, sepse ata janë e ardhshmja e tufave të lopëve.[xlv]
      Ky interesim i përsëritur i Sekretarit të parë për damazët, që shkonte përtej kufijve në të cilët arrinte interesimi i Sekretarit të Parë për një çështje të tillë, madje edhe në një vend me ekonomi e planifikuar, nuk mund të mos ngjallte kureshtjen e përgjithshme dhe të interpretohej nën zë, sikur interesimi i udhëheqësit për damazët e kishte origjinën tek fakti që në rininë e tij i pëlqenin «damazët» me dy këmbë! Në kohën që Hoxha merrej me damazët, atij me rastin e 50-vjetorit iu dha titulli «Hero i Punës Socialiste».
      Në kuadrin e utopisë së Shqipërisë blegtorale, Hoxha në Plenumin XI të Komitetit Qendror, në nëntor 1958, mbajti raportin «Mbi masat që duhen marrë për shtimin me ritëm të shpejtë të prodhimit të mishit dhe të qumështit», në të cilin tha:
       Duhet t’ i vihet rëndësi përhapjes së pulës së detit, patës dhe rosës për të cilat vendi ynë ka kushte të favorshme dhe traditë të mirë.[xlvi]
      Kjo mënyrë të foluri zbulonte se deri më atëherë për regjimin shpendët shtëpiakë qenë parë si gjë pa rëndësi, ashtu që regjimi kishte në vëmendje projektet e mëdha të utopisë. Pastaj Hoxha filloi të fliste për pulën e detit, sikur të pranishmit të mos kishin dëgjuar kurrë për të, dhe ajo të kishte ardhur në Shqipëri nga Rusia:
       Eksperienca e ekonomive të përparuara tregon se pulat e detit japin sasi të mëdha mishi. Kështu p.sh. kolkozi «Maksim Gorki» ndërsa në vitin 1956 mori 9.8 kv mish pulë deti për çdo 100 ha tokë buke, në vitin 1957 mori 29 kv. Në këtë kolkoz nga çdo pulë deti rriten jo më pak se 10-12 zogj, të cilët së bashku në fund të vitit japin 50-70 kg mish peshë e gjallë. A nuk del e qartë se një pulë deti jep më shumë mish nga sa japin dy dele? Dihet se mishi i pulës së detit është shumë më i shijshëm në ngrënie se mishi i deles dhe ka vlerë më të madhe. Përse të mbahet ky qëndrim ndaj pulës së detit? E vlen që të mos i nënvleftësojmë pulat e detit dhe shpendët në përgjithësi. Partia dhe organet e bujqëisë duhet të studiojnë mundësitë që kanë kooperativat bujqësore për rritjen e pulës së detit dhe të planifikohet rritja e tyre në masë sidomos në Myzeqe, në Elbasan dhe në gjithë zonën bregdetare.[xlvii]
      Por nuk qe aspak e nevojshme që fshatarëve shqiptarë t’ u jepeshin shembuj nga kolkozet ruse për kultivimin e pulës së detit, se e kishin traditë këtë gjë, siç e kishte pohuar edhe vetë Hoxha më lart. Arsyeja për të cilën nënvleftësohej pula e detit ishte se në ekonominë e planifikuar çdo gjë bëhej me urdhër, dhe për gjithçka duhet të fliste udhëheqësi supreme, Sekretari i Parë. Dhe kur ai fliste dhe fillonte të bëhej diçka, përpjekjet humbnin në labirintin e ekonomisë së planifikuar dhe kurrkush nuk arrinte të gjente fillin. Shpejt u kuptua se prosperimi që do t’ i vinte Shqipërisë nga blegtoria ishte një fiksion. Edhe ato përpjekje që u bënë në kuadrin e këtij projekti, do të rezultonin pa dobi për shkak të thelbit sizifian të ekonomisë së planifikuar. Kështu, Enver do të thoshte në raportin me temë «Mbi masat që duhen marrë për shtimin me ritëm të shpejtë të prodhimit të mishit dhe të qumështit», që mbajti në Plenumin IX të Komitetit Qendror, në nëntor 1958:
       Nuk janë të pakta rastet që gjatë transportimit të tyre, bagëtitë kanë humbur mjaft në peshë për shkak se ndërmarrjet nuk kanë siguruar gjatë rrugës ushqimin dhe ujët e nevojshëm, nuk kanë organizuar mirë itinerarin e lëvizjes dhe nuk i kanë zgjedhur ose trajtuar mirë barinjtë. Kështu p.sh. nga 174 krerë bagëti të imta që u transportuan nga Tepelena në Tiranë, humbën gjatë rrugës 581 kg. mish të gjallë, në vend të 174 kg. që parashikon rregullorja. Nga 43 krerë bagëti të trasha të transportuara nga Lushnja në Tiranë humbën 554 kg. mish (në vend të 172 kg) dhe kjo sepse drejtoria e ndërmarrjes nuk mori masat e duhura për ushqimin dhe për çlodhjen e bagëtive gjatë rrugës.[xlviii]
      Që Shqipëria blegtorale e prosperuar të krijohej me kafshët dhe shpendët tradicionale kjo ishte një gjë që kërkonte kohë dhe për më tepër dukej një gjë shumë e komplikuar, në kushtet e ekonomisë së planifikuar. Por Hoxha nuk kishte kohë se «xhevahiri» për të cilin fliste Hrushovi duhej bërë sa më parë që ta shihte bota muslimane. Prandaj Tarasi-Herman duhet të gjente zgjidhjen magjike. Në dreq të shkonin lopa, delja, pulat, e detit e të tokës, roast, patat, këto kafshë dhe shpendë reaksionare ndaj ndërtimit të socializmit, të cilit nuk donin të shtoheshin dhe të jepnin prodhim sipas planeve të bëra në kongrese dhe plenume. Hoxha në këtë rast do t’ i drejtohej për ndihmë një kafshe proletare, e cila kishte të gjitha cilësitë e kërkuara nga planifikuesit e ndërtimit të socializmit. Si një iluzionist i vërtetë, Hoxha, në Plenumin IX, në nëntor 1958, nxorri nga «shamia» (fletët e fjalimit)… lepurin. Të gjithë plenumeve mund t’ u jepet nga një emër. Ai i nëntorit 1958 meriton të quhet Plenumi i lepurit. Hoxha tha në raportin e vet me temë “Mbi masat që duhen marrë për shtimin me ritëm të shpejtë të prodhimit të mishit dhe të qumështit”:
       Lepuri i butë është një nga kafshët bujqësore të dobishme, pse prej tij merren mishi, lëkura, gëzofi dhe leshi, të gjitha këto prodhime jashtëzakonisht të çmueshme.[xlix]
      Sekretari i Parë kishte gjetur kështu zgjidhjen jo vetëm për ushqimin, por edhe për veshjen e shqiptarëve. Ata do të ushqeheshin me mish lepuri dhe do të visheshin me lëkurë dhe lesh lepuri. Populli thoshte për frikacakët «E ka lepurin në bark!», një shprehje kjo që e përdorte dhe vetë Hoxha. Tash, sipas Hoxhës, njeriu i ri komunist, do të rritej me… lepur në bark, për t’ u bërë trim dhe i pamposhtur, siç e kërkonte regjimi! Hoxha i kishte bërë «mirë» llogaritë me lepurin:
       Lepuri shtohet dhe rritet shumë shpejt… Mjafton të përmendim se nga një lepur mund të merren minimumi 5-6 pjellje në vit me jo më pak se 5-6 lepurushka, të cilët në moshën 5-6 muajshe arrijnë mesatarisht 1.5-2 kg peshë e gjallë. Kjo do të thotë që një femër e rritur të jep rreth 50-60 kg mish në vit.[l]
      Në letër kështu ishte, lepujt mund të shtoheshin si plenumet e partisë së Hoxhës, por lepujt donin të hanë që të rriteshin. Dhe për të ushqyer gjithë këto hordhi lepujsh duhej që kafshëve të tjera të buta t’ u pritej ushqimi. Por populli kishte dhe një sentencë tjetër «Nuk bëhet stan me lepuj». Sekretari i Parë tash do të provonte të bënte pikërisht këtë, stanin me lepuj. Hoxha tha në plenumin e lepurit:
       Le të marrim të gjitha masat që lepuri të përhapet në vendin tonë dhe të bëhet një kafshë bujqësore e zakonshme, jo vetëm për ekonomitë familjare, po edhe për kooperativat bujqësore. Ekonomitë e qyteteve që kanë nga një copë kopësht dhe kanë mbeturina perimesh, qendrat e punës, të gjitha shkollat fillore, 7-vjeçare, të fshatit dhe të qytetit, si dhe të gjitha shkollat bujqësore e profesionale, duhet të merren me rritjen e lepurit. Shumë mirë mund të marrë si aksion rinia përhapjen e lepurit, veçanërisht në shkollat e fshatit dhe të qytetit.[li]
      Lepuri supozohej të bëhej kështu maskoti i socializmit në Shqipëri. Për çështjen e rritjes së lepurit, Hoxha nuk solli ndonjë shembull nga Bashkimi Sovjetik. Utopinë e lepurit Hoxha e kishte kopjuar nga Musolini, i cili ua dha atë si zgjidhje italianëve në kohën kur vendi ishte i izoluar nga lufta dhe vuante krizën ushqimore. Ashtu si në Italinë e Musolinit, nuk do të kalonte shumë kohë dhe utopia e lepurit do të dështonte dhe do të harrohej. Hrushovi, edhe pse do të jepte definitivisht shumë më tepër para se Stalini për Shqipërinë, ai megjithatë do të jepte shumë më pak se ç’ duheshin për të bërë «xhevahirin». Në letrën e KQ të PPSH dhe Këshillit të Ministrave të RPSH drejtuar homologëve sovjetikë në 6 korrik 1961, thuhet:
       Sikundër dihet, në vijim të bisedimeve të nivelit të lartë të zhvilluara midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik në Moskë, në dhjetor 1958, Bashkimi Sovjetik pranoi t’ i akordonte Republikës Popullore të Shqipërisë një kredi prej 300 milion rublash për periudhën 1959-1965. Marrëveshja përkatëse u nënshkrua midis dy palëve u nënshkrua më 3 korrik 1959.[lii]
       Gjithashtu në këtë letër thuhej:
       Bashkimi Sovjetik pranoi gjithashtu t’ i akordonte Shqipërisë një kredi suplementare prej 70 milion rublash për mekanizimin e bujqësisë dhe më 25 korrik 1960 pala sovjetike paraqiti projektmarrëveshjen përkatëse për nënshkrim.[liii]
      Kjo do të thoshte se deri në 1965 Bashkimi Sovjetik do të jepte 370 milion rubla, ose rreth 46 milion dollarë sipas kursit realist të rublës me dollarin që përmend Ramiz Alia. Pra, për gjashtë vjet, Bashkimi Sovjetik do të jepte, si borxh, 37 milion dollarë, ose 6 milion dollarë në vit. Kjo ishte shumë pak, jo më për të për të ndërtuar «xhevahirin», por edhe për nevojat që kishte vendi. Gjithsesi, edhe socializmi blegtoral shqiptar do të harrohej pas pak vitesh me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.
      Nëse regjimi kishte sukses në shtimin e një specieje me ritmet e lepujve, këta qenë komunistët injorantë. Partia me të cilën Hoxha pretendonte ta bënte Shqipërinë fener ndriçues për botën islame, PPSH, edhe pas kaq vitesh në pushtet mbetej parti e injorantëve. Në tetor 1958 Hoxha i dha një komunisti finlandez, të cilin e priti në Tiranë, këto shifra për përbërjen e PPSH:
       Tani në Parti kemi vetëm 0.3% analfabetë, këta janë nga partizanët e vjetër dhe gra me moshë të shkuar; 17 përqind e efektivit të Partisë dinë të shkruajnë e të lexojnë; 47 përqind kanë vetëm shkollën fillore; 26 përqind kanë shkollë 7-vjeçare, gati 8 përqind janë me arsim të mesëm dhe afro 2 përqind janë me arsim të lartë.[liv]
      Këto të dhëna kërkoheshin të justifikoheshin me gjendjen e arsimit në Shqipëri para luftës, gjë që nuk ishte dhe aq bindëse, për dy arsye: Së pari, pas vitit 1920 në vend erdhi duke u ndërtuar një sistem shkollor i kënaqshëm, nga i cili përfitoi dhe vetë Hoxha, madje u dhanë dhe shumë bursa për studime të larta jashtë vendit, nga të cilat përfitoi përsëri Hoxha. Së dyti, nga viti 1944 në 1958 ishin 14 vjet, çka do të thoshte një periudhë e gjatë sa pjesa më e madhe e asaj mes dy luftrave. Pse edhe pas kaq kohe që partia ishte në pushtet, niveli i saj arsimor mbetej i ulët? Por gjëja më domethënëse ishte se treguesit arsimorë të viktimave të regjimit komunist, qenë e anasjellta e atyre të anëtarëve të partisë në pushtet, duke qenë viktimat e regjimit shumë më të shkolluar se anëtarët e partisë komuniste. Kjo e bënte partinë të dukej si një forcë barbare. Pas 14 vitesh në pushtet, partia që kishte marrë përsipër të ndryshonte vendin mbetej parti e injorantëve.
      Në kohën që Hoxha u ofronte shqiptarëve skeptikë si zgjidhje magjike lepurin, ai kujdesej t’ u përshkruante atyre si të mjeruar jetesën në vendet fqinje. Hoxha tha në mars 1959 në fjalimin e mbajtur në Sesionin III të Kuvendit Popullor:
       Në Greqi fuqia blerëse ka pasur një rënie tjetër gjatë vitit 1958 prej 25-30 përqind. Në maj të vitit 1958, në krahasim me vitin 1953, çmimi i bukës është ngritur 40 përqind, i yndyrnave- 77 përqind, i orizit- 78 përqind, i artikujve prej mielli- 71 përqind, i qumshtit- 77 përqind, i djathit- 50 përqind, i sheqerit- 31 përqind, kurse tarifa për shërbimet komunale është ngritur 30- 90 përqind. Të tjera ngritje çmimesh janë bërë, deri në fund të vitit 1958, në një sërë artikujsh kryesorë si në peshk, në patate, në djathë, në veshmbathje dhe në artikujt e importit.[lv]
      Hoxha sipas praktikës së tij, edhe në këtë rast fliste në shifra hermetike në përqindje, të cilat nuk shprehnin asgjë në rast se nuk thuhej shifrën e çmimeve dhe të pagave në monedhën greke, në mënyrë që shqiptarët të mund të bënin krahasimin. Hoxha shprehej si më sipër për shkak se në Shqipëri edhe pse regjimi kishte shpallur heqjen e triskave në 1957, përsëri në treg mungonin ushqimet e përmendura më lart nga Hoxha, për çka regjimi u detyrua që të zëvendësonte triskat me një sistem racionimi, që u quajtu me një eufemizëm: lista. Çdo dyqan ushqimesh shtetëror kishte listën e banorëve të lagjes të cilët kishin të drejtë të blinin atje dhe ata merrnin me racion, një sasi të caktuar modeste për çdo familje, të ushqimeve që përmend Hoxha më u lart se u ishte ngritur çmimi në Greqi. Hoxha, edhe pse e përshkruante si të mjeruar jetesën në vendet fqinje dhe në Perëndim, nuk i lejonte shqiptarët të dilnin jashtë vendit dhe ta shikonin me sytë e tyre këtë gjë. Çdo tentativë për të dalë jashtë vendit në mënyrë klandestine quhej tradhëti ndaj atdheut dhe dënohej me afate të gjata burgimi. Por shqiptarët edhe pse të izoluar nuk mund të mos merrnin vesh se si jetohej në vendet fqinje, duke përfshirë edhe Jugosllavinë, të cilën Hoxha e përshkruante veçanërisht si skëterrë, me Titon si Luciferrin e saj. Prandaj Hoxha, në qershor 1960, u detyrua të thoshte në një fjalim në Mat:
       Revizionistët jugosllavë kanë ndërtuar fabrika e hidrocentrale, por ato janë të lidhura me interesat e imperialistëve amerikanë, që i kanë hedhur rrënjët mirë në ekonominë jugosllave. Veprat që kanë ndërtuar në Jugosllavi janë bërë me 2 miliard dollarët e amerikanëve. A mundet që imperialistët amerikanë, armiq të tërbuar të socializmit, të japin kredi për ndërtimin e socializmit. Po klikës së Titos ata i japin se e njohin mirë që i shërben imperializmit.[lvi]
      Hoxha kur pyet se përse amerikanët e ndihmojnë Jugosllavinë, nuk shpjegon se si rusët, armiqtë historikë të shqiptarëve, të ndihmonin Shqipërinë. Del për analogji se rusët ndihmonin klikën e Hoxhës se u shërbente atyre. Koha tregoi se ato që u ndërtuan me ndihmën e amerikanëve i mbetën Jugosllavisë, dhe qenë shumë cilësore. Ndërsa ato që u ndërtuan në Shqipëri me ndihmën sovjetike qenë shumë më pak cilësore.
      Meqënëse Shqipëria do të ishte fener komunist për botën islame, u rivlerësua figura e Haxhi Qamilit, udhëheqësit të Zhakërisë islamike. Në 6 maj 1959 Hoxha pati një diskutim me temë «Mbi disa probleme të Historisë së Shqipërisë», në mbledhjen e Byrosë Politike:
       Këtu u diskutua edhe për Haxhi Qamilin. Që ta gjykojmë drejt këtë çështje, duhet të nisemi në radhë të parë nga faktet, ndërsa nga gojëdhënat duhet të ruhemi shumë. Është e vërtetë se në lëvizjen fshatare të vjetëve 1914-1915 ka pasur gabime, po kjo nuk e errëson atë. Kryengritja fshatare e Shqipërisë së Mesme, sipas mendimit tim, ka një bazë të drejtë shoqërore dhe ekonomike. Fshatarët e Shqipërisë së Mesme u ngritën në këmbë me një qëllim të caktuar: të luftojnë kundër bejlerëve dhe feudalëve për t’ u marrë tokën. Veç kësaj, kjo kryengritje fshatare u zhvillua edhe politikisht. Përsa i përket çështjes së aleancave me forca të tjera, orientimi politik i kryengritjes shprehte aspiratat e vegjëlisë, e cila mendonte se ky u përgjigjej më mirë se orientimi i borgjezisë patriote.[lvii]
      Paradoksi sarkastik ishte se në vitin 1959, në kohën kur Hoxha u kujtua të shkruante për këtë çështje, në fshat ishte duke u instaluar një sistem i ri feudalizmi, që shkonte madje deri në kufijtë e skllavopronarisë, me kolektivizimin e bujqësisë. Ironikisht, proletariatin që nuk e kishte patur Shqipëria e para vitit 1944, do ta krijonte partia komuniste në pushtet, duke e proletarizuar fshatarin, shumicën e popullsisë së vendit.


4.
«Atëherë shoku Hoxha, tha Hrushovi, çfarë kërkoni nga ne? Ne kemi pikëpamje të kundërta me ju për këtë çështje. Ne nuk jemi dakord me ju dhe nuk e kuptojmë çështjen ashtu si e kuptoni ju».

      Hoxha kishte llogaritur se pas ngjarjeve të vjeshtës së vitit 1956 në Hungari, Hrushovi dhe Tito qenë armiqësuar, në mos përgjithmonë, së paku për një kohë të gjatë. Por nuk ndodhi kështu. Hrushovi donte që me rastin e jubileut të komunizmit ndërkombëtar, 40-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, që binte në vitin 1957, të shfaqej si udhëheqësi i komunizmit ndërkombëtar, duke bërë një mbledhje të partive komuniste e punëtore të botës në Moskë, për herë të parë që nga viti 1935, kur u mbajt kongresi i fundit i Kominternit. Hrushovi duket se nuk e merrte seriozisht faktin se me këtë politikë po prishte një angazhim të Bashkimit Sovjetik ndaj SHBA e Britanisë së Madhe që zuri fill me shpërbërjen e Kominternit në 1943, dhe që në fakt ishte një angazhim për të mos u krijuar më një forum i komunizmit global me qendër në Moskë. Kjo ishte dhe arsyeja që qëndra e Byrosë Informative kishte qenë Beogradi.
      Hrushovi, kur luante me idenë kominterniane kishte më tepër ndërmend politikën e brendshme sovjetike, ku siç doli më vonë ai nuk e ndjente të sigurt pozitën e vet në udhëheqjen sovjetike, se sa promovimin global të komunizmit. Por në Washington nuk qenë të prirur të bënin dallimin mes retorikës së Hrushovit dhe qëllimeve të tij, ose më saktë u konvenonte të mos e bënin këtë dallim, duke e marrë gjestin e Hrushovit si një msymje të re të komunizmit në rang global, për të cilën Moska nuk kishte as fuqinë dhe as kurajën. Presidenti amerikan Eisenhower, zgjeroi të ashtuquajturën Doktrinën “Eisenhower”, duke u angazhuar të ndihmonte të gjithë vendet e botës që kërcënoheshin nga agresioni komunist. Hrushovi kishte arritur pikërisht atë që nuk dëshironte me retorikën e tij kominterniane, shkallëzimin e Luftës së Ftohtë.
      Hrushovi nuk hoqi dorë nga vizioni i tij kominternian, pavarësisht nga reagimi amerikan. Me sa duket Hrushovi mendonte se kishte kohë gjithmonë për të bërë si Stalini, pra ta luante kartën e tij kominterniane në negociatat me SHBA. Në mbledhjen që po përgatitej, Hrushovi kishte dhe ambicjen që të shfaqej si udhëheqësi që bashkoi komunizmin ndërkombëtar të përçarë nga Stalini, dhe për këtë i duhej prania e Titos në mbledhje. Madje Hrushovi shpresonte që Tito të ishte i pranishëm në mbledhjen që do të mbahej në Moskë, në prill 1957, me udhëheqësit e vendeve komuniste. Prandaj Hrushovi filloi përsëri uverturat ndaj Titos, për tmerrin e Hoxhës, të cilit iu ndalua përsëri ta shante Titon. Megjithatë Hoxha gjeti një mënyrë dinake për të sharë Titon në fjalimin e vet në Plenumin III, në shkurt 1957, duke cituar ministrin e Punëve të Jashtme gjermanoperëndimor, Fon Brentano:
       Në mbledhjen e fundit të Këshillit të NATO-s, ministri i punëve të jashtme të Republikës Federale Gjermane, Fon Brentano, shtroi që NATO-ja të përkrahte zhvillimin e «titoizmit në vendet e demokracisë popullore», sepse sipas tij, «kjo metodë është më e frutshme se sa nxitja indirekte e «kryengritësve». Të gjitha radiot e Perëndimit vazhdimisht u bëjnë thirrje popujve të kampit të socializmit të përmbysin udhëheqësit e partisë e të shtetit dhe t’ i zëvendësojnë me elementë «antistalinistë», që të heqin dorë nga ndërtimi i socializmit «stalinian» dhe të përqafojnë rrugën e socializmit «nacional specifik» jugosllav. Armiqtë dërgojnë proklamata të firmuara nga krimineli fashist Sadik Premtja (që tani quhet shefi i seksionit shqiptar të Internacionales së katërt «komuniste»), ku i bëhet thirrje popullit tonë të përmbysë socializmin «burokratik» dhe të ndjekë rrugën e Titos dhe të Imre Nagit.[lviii]
      Hoxha, me atë që tha më lart, pohonte kështu se ai kishte refuzuar modelin e komunizmit titoist, të hapur kah Perëndimi, dhe kishte zgjedhur modelin sovjetik ku i kishte rënë për pjesë një komunizëm islamik, që i interesonte Moskës. Fjalimi u bë publik duke u botuar në gazetën “Zëri i Popullit”, çka duhet ta ketë nervozuar veçanërisht Hrushovin. Por tashmë Hrushovi ishte në pozitë të lëkundur në udhëheqjen sovjetike, pasi praktikisht e kishte humbur kontrollin e Byrosë Politike, gjë të cilën Hoxha e kuptoi me të arritur në Moskë, në prill 1957, për të marrë pjesë në mbledhjen e udhëheqësve të vendeve komuniste, ku deri në minutën e fundit pritej ardhja e Titos, i cili në fund do të nxirrte si shkak sëmundjen për mosardhjen e tij.
      Biseda Hrushov-Hoxha, në Moskë, në prill 1957 nuk është botuar në veprën 14 të Hoxhës që mbulon këtë periudhë. Hoxha në raportin që i bëri Byrosë Politike pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, thotë se biseda me Hrushovin u acarua për shkak të diferencës së dy palëve në qëndrimin ndaj udhëheqjes jugosllave, çështje për të cilën Hrushovi tha:
       Ju duhet të kuptoni që të gjithë njerëzit mendojnë sikur jemi ne që ju shtyjmë kundër jugosllavëve, duke u nisur nga artikulli që botoi shoku Enver në gazetën «Pravda».[lix]
      Në të vërtetë kështu kishte ndodhur, por tashmë Hrushovi kishte ndryshuar përsëri qëndrim, dhe ai donte që Hoxha ta ndiqte në kursin e ri. Hoxha nuk ishte kundër që të bëhej përsëri pajtimi me Titon, por ai kërkonte garanci se në bisedimet e reja mes Hrushovit dhe Titon nuk do të diskutohej më për largimin e tij nga pushteti, siç i pohoi vetë Hrushovi se kishte ndodhur herën e parë. Këtë interes të vetin Hoxha kërkonte ta kamuflonte me argumente ideologjike, të cilat dukeshin qesharake se Hoxha në Kongresin III kishte bërë autokritikë për qëndrimin e mëparshëm ndaj Titos dhe e kishte quajtur Jugosllavinë një motër socialiste, ndërsa partinë e saj, një parti marksiste-leniniste. Hrushovi nuk e kishte pritur kundërshtimin e Hoxhës dhe këtë e shprehu hapur kur tha:
       Ne kishim mendimin, tha ai, se ky takim partie do të mbaronte më shpejt, nuk kishim menduar që çështjet do të shtroheshin në këtë mënyrë. Ne jemi dakord me vijën tuaj dhe ju mbështesim, por marrëdhëniet me Jugosllavinë ju i shikoni disi në mënyrë nervoze. Ju e paraqitni çështjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë pa perspektivë. Pikëpamjet tuaja për udhëheqjen jugosllave të çojnë në konkluzionin se ajo ka tradhtuar, se nuk është fare në rrugën marksiste-leniniste dhe se duhet t’ i presim marrëdhëniet me ta. Ne nuk mendojmë që ata kanë tradhtuar, por që kanë shkarë nga marksizëm-leninizmi kjo është e vërtetë. Sipas juve ne duhet të kthehemi në atë që bëri Stalini, i cili i bëri thirrje popullit jugosllav të mos e njihte Titon dhe si pasojë u shkaktuan të gjitha ato që dini.[lx]
      Kjo ishte hera e parë që Hoxha kishte një debat të fortë dhe të vetëdijshëm me Hrushovin, pas atij të vitit 1954, kur Hoxha nuk ishte i vetëdijshëm se po debatonte me Hrushovin, por mendonte se po testohej për konseguencën e qëndrimit të tij ndaj jugosllavëve. Nuk është gjë e rastësishme që ky debat i ashpër i Hoxhës me Hrushovin u bë një muaj para se Byroja Politike ta shkarkonte Hrushovin dhe ai të rikthehej në fuqi praktikisht me një puç ushtarak të drejtuar nga Zhukovi. Hoxha sigurisht që nuk ishte në dijeni të planeve të krahut kundërshtar të Hrushovit, por ai arrinte ta perceptonte me shqisën që i qe kultivuar si politikan se atmosfera rreth Hrushovit në Kremlin po bëhej inkandeshente. Hoxha përpiqej që t’ i paraqiste gjërat sikur Tito nuk kërkonte thjesht largimin nga pushteti të Hoxhës dhe Shehut, por kërkonte të përmbyste regjimin prosovjetik në Shqipëri. Midis Hrushovit dhe Hoxhës u shkëmbyen këto fjalë:
       Jugosllavia nuk do të bëhet sigurisht, as si Gjermania, as si Italia ose si ndonjë vend tjetër, shkaktare për ndonjë luftë tjetër kundër kampit tonë. Ju e konsideroni Jugosllavinë si armikun numër një?!- më pyeti.
-Ne nuk po flasim për Jugosllavinë. Po flasim për veprimtarinë revizioniste të udhëheqësve jugosllavë- i thashë.- Mandej, ç’ duhet të bëjmë pas atyre që kurdisin ata kundër nesh?
-Përpiquni të neutralizoni punën e tyre. Pse, ç’ do të bëni më tej? Do të bëni luftë me ta?- më pyeti përsëri.
-Jo luftë as kemi bërë e as do të bëjmë. Po në qoftë se ministri (kryediplomati  jugosllav në Tiranë- K.M.) vete nesër të fotografojë objekte ushtarake, atëherë çfarë të bëjmë?
-Merrini filmin!- u përgjigj Hrushovi.
-Masa të tilla ata do t’ i përdorin si pretekst për të prerë marrëdhëniet dhe për të na e lënë fajin neve.- thashë.[lxi]
      Hoxha, me pyetjen e tij hipotetike e kishte çuar bisedën në një rreth vicioz, ku Hrushovi nuk mund të jepte tjetër përgjigje përveç asaj që dha:
       Atëherë shoku Hoxha, tha Hrushovi, çfarë kërkoni nga ne? Ne kemi pikëpamje të kundërta me ju për këtë çështje. Ne nuk jemi dakord me ju dhe nuk e kuptojmë çështjen ashtu si e kuptoni ju.[lxii]
      Këto fjalë përmbanin një kërcënim të fshehur se Hoxha do të kishte më e pakta fatin e Rakoshit, duke përfunduar jetën në ndonjë sanatorium në Bashkimin Sovjetik. Por Hoxha e dinte se në këtë kohë Hrushovi nuk qe në pozitë të fortë për ta bërë këtë gjë. Kjo u kuptua kur Hrushovi vazhdoi të arsyetonte në lidhje me Titon:
       Adenaueri dhe Kishi nuk janë më të mirë se Titua dhe ne megjithatë kemi bërë çmos t’ i afrojmë. Si mendoni ju, gabim bëjmë?
-Nuk është tamam kështu- iu përgjigja. Kur flitet për Titon nënkuptohet përmirësimi i marrëdhënieve në rrugë partie, kurse ai është antimarksist. Por udhëheqja jugosllave nuk është korrekte as në marrëdhëniet shtetërore. Ç’ qëndrim do të mbajmë ne në rast se jugosllavët do të vazhdojnë të na organizojnë komplote?[lxiii]
      Nëse Tito ishte antimarksist tash, në prill 1957, siç thotë Hoxha, atëherë ai kishte qenë i tillë edhe në maj 1956, kur Hoxha në Kongresin III foli për Titon si për një marksist-leninist, për të cilin kishte shpifur Beria. Titoja ai që kishte qenë ishte dhe nuk kishte ndryshuar. Hoxha duhet të ishte i vetëdijshëm se Hrushovi nuk e merrte për të mirëqenë gjithë këtë puritanizëm ideologjik të tij dhe këtë gjë ia kishte bërë të qartë në njëfarë mënyre kur pikërisht gjatë kësaj vizite të Hoxhës në Moskë e çuan të ndjekë brenda dy ditës baletin «Taras Bulba» dhe operën «Dama Pik». Hrushovi e dinte se Tarasi-Herman, i cili shtirej sikur shqetësohej për ideologjinë, kur në të vërtetë e kishte hallin tek pushteti personal. Hoxha me komplot jugosllav ndaj Shqipërisë kuptonte në radhë të parë kërkesat që Tito i bënte Hrushovit për ta larguar atë, Hoxhën, nga pushteti. Duket se kështu i kuptoi dhe Hrushovi këto fjalë, se në këtë pikë ai shpërtheu:
       -Shoku Hoxha- thirri me zemërim Hrushovi- ju po më ndërhyni vazhdimisht në fjalën time. Ne ju dëgjuam një orë dhe ju as 15 minuta nuk më latë të flas, prandaj nuk kam çfarë të flas![lxiv]
      Komediani u tremb se mos Hrushovi, në valën e zemërimit, e bënte të përfundonte  si Rakoshi, apo edhe më keq si Imre Nagi. Hoxha thotë për këtë moment në raportin që i bën Byrosë Politike pas kthimit nga Moska:
       Situata u bë e rëndë. Unë ndërhyra përsëri dhe i thashë se ne kemi ardhur për të shkëmbyer mendime dhe për të ndihmuar njëri tjetrin.[lxv]
      Ishte sa paradoksale aq edhe domethënëse që Hoxha u grind me Hrushovin për Titon, i cili në atë kohë ishte garanti se Jugosllavia nuk do të bashkëpunonte me Greqinë për të invaduar dhe ndarë Shqipërinë mes dy vendeve. Disa javë pas kësaj bisede mes Hoxhës dhe Hrushovit, në 7 qershor 1957, ambasada e SHBA në Beograd njoftonte se gjatë vizitës së mbretit të Greqisë atje, ky i fundit i kishte folur Titos për çlirimin e Vorio-Epirit, domethënë për luftë ndaj Shqipërisë, por Tito kishte heshtur.[lxvi]  Në rast se Tito do të largohej nga pushteti, në Jugosllavi do të dominonin serbët, të cilët do t’ i jepnin sadisfaksion ideologjik Hoxhës, por do të qenë të prirur për t’ i dhënë sadisfaksion edhe Greqisë, sa i përket ndarjes së Shqipërisë. Hoxha e dinte se Tito ishte garanti se nuk do të ndodhte ajo çka i kërkonin grekët, e megjithatë e konsideronte Titon armik për vdekje, kuptohet nga pikëpamja e interesit të pushtetit personal. Hrushovi, në momentin që ndërpreu bisedimet me Hoxhën, dhe u çua në këmbë duke bërë të ikte, ishte dashur që ose të ndëshkonte Hoxhën, siç kishte bërë me Rakoshin, ose të braktiste Shqipërinë. Derisa të dytën nuk kishte ndërmend ta bënte në atë kohë, nuk mund të bënte as të parën.
      Aspekti më ironik i bisedës mes Hrushovit dhe Hoxhës ishte se partia në emër të së cilës ky i fundit pretendonte të shprehte ortodoksinë e komunizmit ndërkombëtar, PPSH, ishte një parti, e cila edhe pse prej 13 vjetësh qe në pushtet, kishte vetëm një minorancë anëtarësh punëtore, ose me origjinë punëtore. Në tetor  1958 Hoxha i dha një komunisti finlandez, të cilin e priti në Tiranë, këto shifra për përbërjen e PPSH:
       Në radhët e saja sot, sikurse ju thashë, militojnë 50 722 komunistë. Përsa i përket origjinës: 76% e gjithë këtyre rrjedhin nga shtresa të varfra, prej të cilëve afro 5000 vetë janë me origjinë punëtore. Kjo shifër siç e shihni është e ulët, ajo reflekton numrin e vogël të klasës punëtore në vendin tonë para çlirimit.[lxvii]
      Partia e vetëquajtur e klasës punëtore ishte parti e dominuar nga burokratët me origjinë fshatare ose mikroborgjeze.
      Në takimin e prillit 1957, Hrushovi u mjaftua me ndjesën që kërkoi Hoxha dhe u ul përsëri e filloi të merret me projektin e tij të Shqipërisë- xhevahir. Hoxha shkruan për këtë:
       Taktika e «kërbaçit» mbaroi: mbi tavolinën e bisedimeve Hrushovi na shtroi përsëri «kulaçin».
-Të na kuptoni shokë- tha- ne kështu flasim vetëm me ju, se ju duam shumë, ju kemi në zemër etj., etj. Dhe pas këtyre tregoi një «gjest» bujarie: na fali kreditë që Bashkimi Sovjetik i kishte dhënë gjer në fund të vitit 1955 vendit tonë për zhvillimin ekonomik e kulturor. Patjetër që i falenderuam, falenderuam në radhë të parë klasën punëtore dhe popullin vëlla sovjetik për këtë ndihmë që i jepnin një vendi të vogël, por trim, punëtor e të papërkulur».[lxviii]
      Kjo do të thoshte se Shqipërisë i falej edhe kredia të cilën Bashkimi Sovjetik ia kishte dhënë vendit në 1955 dhe që duhej të akordohej deri në vitin 1959. Për vlerën që kishte për Shqipërinë ky veprim i Hrushovit, Ramiz Alia, i cili ishte i pranishëm në atë bisedë, do të thoshte në një intervistë në vitin 1992:     
       Me atë rast sovjetikët falën kreditë që na ishin dhënë deri në atë kohë, që kapnin shumën 420 milion rubla të vjetra. Ato ishin baras me 50 milion dollarë.[lxix]
      Në fakt, në atë kohë, kursi zyrtar i rublës me dollarin, në Bashkimin Sovjetik,  ishte rreth 5: 1, por Ramiz Alia këtu e bën llogarinë me një kurs më realist, që është diçka më tepër se 8:1.  Kjo do të thotë se ndihma sovjetike, në formë borxhi, për Shqipërinë, deri në vitin 1959, nuk ishte më tepër se dyfishi i ndihmës që kishin dhënë falas SHBA dhe Britania e Madhe me anë të UNRRA-s në vitet 1945-1946. Është e qartë se nëse Hoxha do të kishte ndjekur shembullin e Titos për t’ u afruar me Perëndimin, ndihma që do të merrte do të ishte shumë më e madhe se ajo që kishte marrë nga Moska, pa folur për cilësinë e mallrave perëndimore që ishte shumë më e lartë se ajo e atyre sovjetike.      
      Hoxha u hidhërua kur pak ditë pas largimit të tij nga Bashkimi Sovjetik, në maj 1957, Hrushovi e ndryshoi me anë të një puçi ushtarak vendimin e Byrosë Politike për shkarkimin e tij nga posti i Sekretarit të Parë, dhe emërimin e Bulganinit në vendin e tij. Në vend që të ishte Byroja Politike ajo që t’ i paraqiste Komitetit Qendror vendimin e saj për shqyrtim, siç duhej të ndodhte, puçistët e drejtuar nga Hrushovi i shkarkuar dhe ministri i Mbrojtjes, mareshalli Zhukov mblodhën me ngut Komitetin Qendror, pa miratimin e Byrosë Politike e ndryshuan vendimin e saj. Pak javë më pas, një tjetër Plenum i Komitetit Qendror i shpalli ata që kishin shkarkuar Hrushovin, stalinistët e vjetër Malenkov, Kaganoviç, Molotov etj., si grup antiparti dhe i përjashtoi nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror. Pas kësaj Hrushovi mori edhe postin e kryeministrit, duke u rikthyer në modelin e udhëheqësit partiako-qeveritar.
      Hoxha do të kishte dashur që tash kur modeli sovjetik i udhëheqësit suprem ishte ai i Sekretarit të Parë-kryeministër, ai ta rimerrte postin e kryeministrit të cilin kishte qenë i detyruar t’ ia jepte Shehut. Por ky i fundit nuk kishte aspak ndërmend që ta lëshonte postin që kishte fituar befasisht. Hoxhës nga ana e tij tash nuk i interesonte që të hynte në konflikt me Shehun, i cili në këtë periudhë i duhej si aleat.


5.
Darkë me «Krajleviç Markon»: Bisedimet e fshehta Hoxha-Rankoviç

      Hoxha në kujtimet e veta shpesh tregon episode të cilat atij nuk i konvenonte t’ i përmendte, por që me dinakërinë e tij të zakonshme, i përmend për shkak se e di që ato do të bëhen të njohura se do të shkruajnë të tjerët që kanë qenë të pranishëm, si dhe nga dokumentet që dikur do të botoheshin. Kjo është arsyeja që Hoxha në kujtimet e veta rrëfen për takimin që ai pati në Moskë, në verën e vitit 1957 me numrin dy të udhëheqjes jugosllave, serbin Aleksandër Rankoviç, ministrin e Punëve të Brendshme dhe shefin e UDB. Rankoviç, i cili në mënyrë sinjifikuese njihej edhe me nom du guerre «Marko», sipas emrit të heroit mesjetar serb Krajleviq (princ) Marko, ishte armiku më i madh i shqiptarëve të Jugosllavisë në udhëheqjen e këtij vendi, ishte njeriu falë të cilit edhe në Jugosllavinë komuniste vazhdoi zbatimi i elaborateve serbe për spastrimin etnik të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare, me anë të genocidit. Rankoviç ishte kundërshtari kryesor i Titos për çështjen e dhënies të së drejtave shqiptarëve të Jugosllavisë dhe fakti është se statusi i shqiptarëve në Jugosllavi dhe posaçërisht në Kosovë do të përmirësohej shumë pas rënies së Rankoviçit nga pushteti në 1966. Hoxha shkruan për takimin me Rankoviç në kujtimet:
       Me mua ishte edhe Nexhmija. Ishte korriku i vitit 1957, koha që Hrushovi e kishte rregulluar me titistët dhe u bënte atyre edhe lajka, edhe presione. Titistët bënin sikur i shijonin lajkat, kurse presionet dhe thikat ia kthenin. Hrushovi, më kishte lajmëruar qysh një natë më parë «për të më marrë leje» se do të më thërriste në këtë darkë, ku do të ishin edhe Zhivkovi me të shoqen si dhe Rankoviçi me Kardelin, me gratë e tyre.[lxx]
      Por, në një vend tjetër në kujtimet e veta, Hoxha thotë se i ishte bërë e ditur prania e jugosllavëve në darkë jo një natë më parë, por shumë më herët:
       Mbrëmë ishim në një priom të ftuar nga Hrushovi. Në këtë priom ishin ftuar edhe Zhivkovi, Rankoviçi e Kardeli me bashkëshortet e tyre (Hrushovi më kishte thënë para nja dy ditëve se në këtë darkë ishin ftuar edhe këta.) As mua, as Nexhmijes nuk na erdhi mirë e s’ kishin dëshirë të uleshim në tavolinë me jugosllavët, por s’ kishim ç’ bënin dhe vajtëm.[lxxi]
      Këtu Hoxha thotë: «para nja dy ditëve», çka do të thotë se ai ishte vënë në dijeni që disa ditë më parë. Dhe në fakt kështu duhet të ishte se darka ishte më tepër se një darkë e thjeshtë, ajo nga mënyra si u zhvillua ishte një lloj takimi gjysmëzyrtar pajtues mes udhëheqjes jugosllave nga njëra anë dhe asaj shqiptare dhe bullgare nga ana tjetër. Kjo kuptohet kur Hoxha shkruan:
       Hrushovi me një gotë dollie në dorë nisi të na mbajë një leksion mbi miqësinë që duhet të ekzistojë midis trekëndëshit Shqipëri-Jugosllavi-Bullgari dhe katërkëndëshit Bashkim Sovjetik-Shqipëri-Jugosllavi-Bullgari.[lxxii]
      Takimi pajtues ishte inicuar dhe moderohej nga vetë Hrushovi, i cili donte që para takimit të tij të paracaktuar me Titon, në gusht, të arrinte pajtimin e udhëheqjeve të Shqipërisë dhe Bullgarisë me atë të Bullgarisë. Edhe udhëheqësi bullgar Zhivkov  ishte në marrëdhënie të këqija me Jugosllavinë, por për një interes nacional bullgar siç ishte çështja e Maqedonisë, dhe jo si Hoxha, për mustaqet e Stalinit, apo më saktë për pushtetin e vet.
      Kur Hoxha debatonte me Hrushovin për Jugosllavinë, ai nuk e kishte hallin tek çështjet ideologjike, por tek fakti se ky i fundit nuk e pranonte si partner në kuadrin e pajtimit hrushovian, dhe i kërkonte Hrushovit që ta largonte atë nga pushteti. Nëse Tito do të ndryshonte qëndrimin për këtë çështje, Hoxha nuk do ta kishte për gjë që ta ndiqte Hrushovin në kursin e pajtimit me Titon, gjë që tashmë e kishte bërë një herë në vitet 1955-1956. Kjo ishte arsyeja që Hoxha në korrik 1957 do të pranonte të merrte pjesë në takimin e pajtimit të organizuar nga Hrushovi. Madje duket se ky takim ishte qëllimi kryesor i vizitës së Hoxhës në Bashkimin Sovjetik, përveç pushimeve të përvitshme dhe kurimit në klinikat e specializuara. Nëse udhëheqja jugosllave nuk kërkonte largimin e tij nga pushteti, Hoxha ishte gati të ulej në tryezë jo vetëm me Titon, por edhe me Rankoviçin, siç edhe bëri. Hoxha kërkon te shfajësohet për pjesëmarrjen në darkën ku ishte dhe Rankoviçi duke thënë se: 
       As mua, as Nexhmijes nuk na erdhi mirë e s’ kishin dëshirë të uleshim në tavolinë me jugosllavët, por s’ kishim ç’ bënin dhe vajtëm».[lxxiii]
      Hoxha, i cili për çështje të tjera që s’ kishin të bënin fare me Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi, tregohet i pakompromis me Hrushovin, për darkën me Rankoviçin thotë se u detyrua të shkonte se s’ kishte ç’ bënte. Por Hoxha kishte se ç’ të bënte për ta evituar darkën me Rankoviçin. Hoxha mund të ishte shtirur si i sëmurë atë mbrëmje dhe të mos shkonte. Ai mund ta bënte këtë gjë se në Bashkimin Sovjetik kishte shkuar edhe për kurim. Ose Hoxha mund t’ i thoshte Hrushovit se nuk do të merrte pjesë në këtë darkë pasi ato gjëra që kishte thënë ai në raportin e vet denoncues për Stalinin se i kishte bërë ky i fundit në adresë të kombeve dhe kombësive të ndryshme të Bashkimit Sovjetik, ndaj të cilëve kishte ushtruar genocid dhe spastrim etnik, i kishte bërë Rankoviç nda shqiptarëve në Jugosllavi.
      Me cilindo udhëheqës jugosllav mund të pranonte të ulej në tryezë Hoxha përveç serbit Rankoviç. Hoxha u ul në tryezë dhe darkoi me Rankoviçin, duke përplasur gotën me të tijën në shenjë urimi dhe duke  pirë dolli për shëndetin e njeriut që ishte përgjegjësi kryesor për genocidin e bërë ndaj shqiptarëve në Jugosllavi në vitet 1944-1945, kur u vranë rreth 50 mijë shqiptarë,  si dhe për deportimin e shqiptarëve në Turqi, që kishte filluar në kohën kur Hoxha përplaste gotën në shenjë urimi me Rankoviçin. Hoxha, i cili në atë kohë nuk do të takohej kurrë me Titon, u takua megjithatë me armikun më të madh të shqiptarëve në udhëheqjen jugosllave, Rankoviçin. Hoxha në një artikull të botuar në gazetën «Zëri i Popullit», në 2 maj 1961, me rastin me një vizite të Rankoviç në Greqi, pyeste që në titull «Përse Rankoviçi shkon në Athinë?»[lxxiv]
      Pra, derisa Hoxha, pavarësisht motiveve të deklaruara të vizitës së Rankovic në Greqi, hidhte dyshime mbi atë, është e drejtë të pyetet se përse Hoxha dhe Rankoviç u takuan në Moskë. Hoxha pretendon se gjatë darkës ai pati një shkëmbim fjalësh të ashpër me Rankoviçin, kur u bisedua për shkakun e marrëdhënieve të këqija mes dy vendeve:
       -Janë shqiptarët që s’ na lënë rehat- ndërhyri Rankoviçi.
      Atëherë ndërhyra unë dhe ia numërova Rankoviçit veprimet antishqiptare, sabotimet, komplotet dhe aktet diversioniste që ata organizonin kundër nesh.[lxxv]
      Hoxha, i cili në raste të tjera shumë më pak të rëndësishme nuk përton të zgjatet duke sjellë fjalët që ka thënë, këtë herë nuk thotë asgjë të detajuar. Kuptohet se përse. Në kohën që u botua libri Rankoviçi ishte ende gjallë dhe ai mund të nxirrte ndonjë dokument për ato që ishin thënë në bisedimet mes tyre në atë verë në Bashkimin Sovjetik.
      Por Hoxha dhe Rankoviç duhet të kenë pasur dhe takime të tjera atë verë në Moskë, se Rankoviç qe për pushime në Bashkimin Sovjetik. Hoxha në një rast tjetër në kujtimet e veta pohon se ai ishte në dijeni që më parë se Rankoviç ishte në Bashkimin Sovjetike:
       U bënë ditë që bashkë me Nexhmijen ndodhemi për pushime në Bashkimin Sovjetik. Kemi marrë vesh se këtu kanë ardhur për pushime edhe Zhivkovi me të shoqen, por edhe... Rankoviçi e Kardeli me gratë.[lxxvi]
      Nexhmije Hoxha, në kujtimet e veta, qartësisht të pakolauduara me ato të burrit të saj, flet së paku edhe për një takim tjetër në fund të gushtit, kur Hoxha, Rankoviç dhe Kardel u ftuan për darkë nga Hrushovi, pas kthimit nga Suhumi, në Detin e Zi, ku bënë pushimet:
       Nga fundi i gushtit, kur u kthyem në Moskë për t’ u nisur në atdhe na njoftuan se Hrushovi na njoftonte në një darkë, ku do të ishin edhe jugosllavët Kardel e Rankoviç. Darka u dha në një vilë brenda Moskës... Grumbullimi i miqve u bë një holl të ngushtë me tavan të ulët. Të ftuarit ishin vetëm unë me Enverin dhe jugosllavët Kardel e Rankoviç.[lxxvii]
      Pra, kjo nuk është darka në të cilën ishte i pranishëm dhe Zhivkovi për të cilën flet Hoxha. Derisa Rankoviç e Kardel qenë me pushime në Bashkimin Sovjetik si Hoxha, ka shumë mundësi që ata të kenë qenë bashkarisht në të njëjtin resort të udhëheqjes sovjetike dhe të kenë pasur edhe takime të tjera mes tyre, pa praninë e Hrushovit. Një gjë që të bën të besosh se Hoxha dhe Rankoviç kanë pasur dhe takime të tjera atë verë, dhe Hoxha ka qenë i parapërgatitur për këto takime që para se të nisej në Bashkimin Sovjetik është fakti se Hoxha këtë herë nuk ishte i shoqëruar nga asnjë udhëheqës tjetër shqiptar, por ishte vetëm me bashkëshorten, Nexhmijen. Ndërsa jugosllavët qenë dy Rankoviç dhe Kardel. Tito kishte çuar në takim Kardelin, i cili ishte slloven, se nuk i besonte serbit Rankoviç, dhe kishte frikë se mos ai bënte bisedime të fshehta me sovjetikët, për llogari të vet. Hoxha shkoi vetëm se ai donte t’ i zhvillonte vetë bisedimet me jugosllavët, pa praninë e Shehut, Beqir Ballukut apo Kapos.
      Hoxha gjatë qëndrimit të gjatë në Bashkimin Sovjetik në verën e vitit 1957 duhet të ketë pasur edhe biseda tete a tete me Rankoviçin, ku duhet të jenë marrë vesh për shumë gjëra të cilat qenë në interesin e përbashkët të krahut serb në udhëheqjen jugosllave dhe regjimit të Hoxhës. Është e sigurt se krahu serb në udhëheqjen jugosllave nuk e donte largimin e Hoxhës nga pushteti, se i druhej hapjes së Shqipërisë nga Perëndimi çka do të bënte që Shqipëria të hapej ndaj shqiptarëve të Jugosllavisë. Serbëve, të cilët nuk e donin hapjen mes shqiptarëve në dy anët e kufirit, u bënte komoditet që izolimin në mes shqiptarëve ta mbante regjimi i Hoxhës, ndërsa Jugosllavia të paraqitej si vend i hapur. Nëse Shqipëria do të hapej, atëherë do të ishte Jugosllavia ajo që do të detyrohej të mbyllte kufirin me Shqipërinë, siç bëri faktikisht Millosheviç kur u hap Shqipëria në 1991. Rankoviç, sigurisht duke folur me aluzione për gjërat më delikate, e ka inkurajuar Hoxhën që të rezistonte pavarësisht atyre që thoshte Titoja, duke i bërë të ditur se në udhëheqjen sovjetike kishte shumë njerëz që nuk e pëlqenin kursin e Titos. Vetë Rankoviç shihej si njeriu që në udhëheqjen jugosllave simbolizonte linjën që ishte për afrim më të madh me Bashkimin Sovjetik.               
      A mund të jetë rastësi që, pak ditë pas kthimit të Hoxhës nga Bashkimi Sovjetik, ku ishte takuar me Rankoviçin, në 13 shtator 1957, u arratis në Jugosllavi në rrethana mëse të dyshimta, Arshi Pipa, një njeri emri i të cilit më pas do të lidhej me eliminimin e Shehut. Aq më tepër interesante bëhet kjo histori nga implikimi në të i njeriut të afërt të Hoxhës, Ramiz Alisë. Arshi Pipa shkruan:           
       Pas daljes time nga burgu më 1956, e kisha shumë të vështirë të siguroja jetesën. I kërcënuar nga uria, vendosa të takoja Ramiz Alinë, Ministrin e Arsimit, që kishte qenë studenti im në Liceun e Tiranës më 1943-1944. Pritja ishte qytetare dhe menjëherë pas kësaj më caktuan mësues të gjuhës shqipe në një shkollë fillore.[lxxviii]
      Në fakt në shkollat fillore nuk kishte mësues të gjuhës shqipe, se atje të gjitha lëndët i bënte një mësues i vetëm. Të tillë kishte vetëm në nivelin e lartë të arsimit shtatëvjeçar. Por nuk është këtu çështja kryesore. Çështja është se si mori kurajë Ramiz Alia, një njeri tmerrësisht i kujdesshëm, që të ndërhynte për Arshi Pipën, për të cilin vite më vonë do ta pësonte kryeministri Shehu? Dhe mandej pse Ramiz Alia nuk pati pasoja kur Arshi Pipa pak kohë pasi filloi punë u arratis në Jugosllavi? A nuk e kishte pësuar Jakova për gjëra të vogla, si për atë se kishte ndërhyrë për një kulak, apo për një prift? Madje Ramiz Alia, jo vetëm që nuk do të kishte pasoja, por më pak se pesë muaj pas arratisjes së Arshi Pipës do të merrte një post më të lartë duke u emëruar drejtor i Drejtorisë së Agjitacionit dhe Propagandës në Komitetin Qendror, nga ku pas tre vjetësh do të kalonte në postin e Sekretarit të Komitetit Qendror për propagandën.
      Enigma zbulohet tërthorazi në kujtimet e Hamit Beqjes, një tjetër funksionari të lartë komunist, me origjinë nga Shkodra, i cili e kishte njohur Arshi Pipën dhe familjen e tij dhe që ndërhyri për emërimin e Arshi Pipës. Hamit Beqja shkruan në kujtimet:
       Për aq sa më takonte e sa munda «u përziva» edhe unë. Mirëpo pas arratisjes së tij një punonjës i Komitetit të Partisë të rrethit të Shkodrës më tha si me njëfarë nënteksti qortimi që ne e zbatuam porosinë tuaj, por ai me të motrën ikën. Edhe unë po me njëfarë nënteksti të tillë iu përgjigja që nuk u thamë që t’ i çonit në breg të Bunës, një hap nga kufiri.[lxxix]
      Hamit Beqja ishte miku i ngushtë i Ramiz Alisë dhe ai duket se ishte ngarkuar prej këtij të fundit që të sistemonte me punë Arshi Pipën, i cili u sistemua në atë mënyrë që të kishte mundësi të arratisej. Një gjë që ndriçon fijen që lidh takimin Hoxha- Rankoviç me arratisjen e Arshi Pipës, është fakti se Arshi Pipa, me t’ u përmbysur komunizmi në Shqipëri, do të elaboronte idenë rankoviçiane se shqiptarët e Kosovës kishin si qëllim që të pushtonin Shqipërinë. Arshi Pipa do të shkruante në esenë «Turqit e rinj të Shqipërisë së re» të botuar në qershor 1992 në gazetën «Dielli» dhe të ribotuar në Shqipëri disa herë:
       Tue fillue me Lidhjen e Prizrenit (1878-1881), historia shqiptare dëshmon se kosovarët kanë qenë lokomotiva e nacionalizmit shqiptar. Agonia e tyne nën robninë serbe i ka ba edhe ma të vendosun për me u bashkue me atdheun me çdo kusht e me çdo mënyrë, tue përfshi edhe pushtimin e tij.[lxxx]
      Arshi Pipa sigurisht që e dinte se armiqësimi i shqiptarëve të Kosovës me ata të Shqipërisë së këtej kufirit, ishte një projekt i vjetër serb, të cilit i kishte shërbyer edhe regjimi i Hoxhës. Arshi Pipa, libohoviti i cili shkruante gegërisht për shkak se kishte lindur në Shkodër, po i shërbente qartësisht këtij projekti.


[i] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 224
[ii]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 145-146
[iii] Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, viti 1955, lista 1, Dosja 59
[iv] Enver Hoxha: «Ditar: 1955-1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 361
[v]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 192
[vi] Në frëngjisht: dekani i trupit diplomatik në një vend. Në fund të faqes është shënimi: «Në këtë rast duajen ishte ambasadori hungarez». (Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 193)
[vii] Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 193  
[viii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 226- 227
[ix] po atje: f. 227-228
[x] «Libri i kuq i citateve të Kryetarit Mao Ce Dun», Shtëpia botonjëse e gjuhëve të huaja, Pekin 1967, f. 45
[xi] po atje: f. 323
[xii] po atje: f. 37-38
[xiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 43
[xiv] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 230
[xv] Enver Hoxha: «Ditar: 1955- 1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 214
[xvi] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 237- 238
[xvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 48
[xviii]po atje: f. 49
[xix] po atje: f. 191
[xx] N. S. Hrushov: «Kujtime», Shtëpia botuese «55», Tiranë 2006, f. 257
[xxi]Arkivi Qendror i Shtetit: Drejtoria Administrative, viti 1956, Dosja 189/2
[xxii]Arkivi Qendror i Shtetit: Drejtoria Administrative, viti 1956, Dosja 189/2
[xxiii]Enver Hoxha: «Titistët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1982, f. 560  
[xxiv]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 292- 293
[xxv] Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 440-441
[xxvi]«Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave: 1945-1948», Dokumente, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1996, f. 28
[xxvii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14/Arkivi i Partisë, viti 1956, dosja 57, fleta 19
[xxviii]Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, viti 1956, dosja 271, fleta 30
[xxix]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 293- 294
[xxx]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 194
[xxxi]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 294
[xxxii]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 195
[xxxiii]N. S. Hrushov: «Unë nuk jam gjykatës», Shtëpia botuese «Ombra GVG», Tiranë 2004, f. 140
[xxxiv]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 224
[xxxv]po atje: f. 297
[xxxvi]po atje: f. 472
[xxxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 16, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1973, f. 224
[xxxviii]«Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë», Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 143
[xxxix]Enver Hoxha: Vepra, vol 16, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1973, f. 284-285
[xl]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 472
[xli] po atje: f. 298
[xlii]po atje: f. 300
[xliii]po atje: f. 299
[xliv]Enver Hoxha: Vepra, vol 15, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 311- 312
[xlv] po atje: f. 317
[xlvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 16, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1973, f. 330
[xlvii]po atje: f. 330
[xlviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 16, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1973, f. 305-306
[xlix]po atje: f. 331
[l] po atje: f. 332
[li] po atje: f. 332
[lii] «PPSH: Dokumente kryesore», Botim i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, Tiranë 1970, Vol 3, f. 34-35
[liii]po atje: f. 35
[liv]Enver Hoxha: Vepra, vol 16, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1973, f. 218
[lv]Enver Hoxha: Vepra, vol 17, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1974, f. 29
[lvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 18, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 354
[lvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 17, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1974, f. 182
[lviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 250
[lix] po atje: f. 361
[lx] po atje: f. 357-358
[lxi] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 340- 341
[lxii]Enver Hoxha: Vepra, vol 14, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 359
[lxiii]po atje: f. 359
[lxiv]po atje: f. 359
[lxv] po atje: f. 359
[lxvi]United StatesNational Archives, GRDS. RG 59, Miscellaneous, Lot Files, Subject Files Relating to Greece and Cyprus, 1955-1958, Box 9
[lxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 16, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1973, f. 217
[lxviii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 347
[lxix]«Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë», Intervistë me Blerim Shala, Llukman Halili, Hazir Reka, Botim i «Zëri», Prishtinë 1992, f. 56
[lxx] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 183
[lxxi]Enver Hoxha: «Ditar: 1955-1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 356
[lxxii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 183-184
[lxxiii]Enver Hoxha: «Ditar: 1955-1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 356
[lxxiv] Enver Hoxha: Vepra, vol 21, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 14-15
[lxxv]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 184
[lxxvi]Enver Hoxha: «Ditar: 1955-1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 355
[lxxvii]Nexhmije Hoxha: «Jeta ime me Enverin», Enti botues «Lira», Tiranë 1998, Vol. 1, f. 327
[lxxviii]Arshi Pipa: «Stalinizmi shqiptar», Botim i IKK & Princi, Tiranë 2007, f. 217-218
[lxxix]Hamit Beqja: «Gjurmë jete», Shtëpia botuese «Uegen», Tiranë 2004, f. 32
[lxxx]«Quo vadis, Shqipëri», antologji, Botime «Albania», Tiranë 1993, f. 34