1.
Tarasi sjell ushtrinë ruse në Shqipëri
Derisa Taras Bulba, heroi kozak emrin e të cilit e kishte marrë si pseudonim Hoxha, do ta çonte ushtrinë ruse deri në Poloni, «Tarasi» shqiptar do ta sillte atë edhe më larg, në jugperëndim, deri në Shqipëri, në bregun mesdhetar. Në 12 shtator 1957 Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruan një protokoll ushtarak, i cili do të ishte sekret, sipas traditës së protokolleve sovjeto-gjermane. Sipas termave të protokollit sekret, në Vlorë do të ndërtohej një bazë ushtarake sovjetike, ku do të dislokoheshin anije luftarake dhe posaçërisht nëndetëse.[i]Për protokollin nuk u vunë në dijeni as anëtarët e Byrosë Politike në Shqipëri. Ata, për fillimin e ndërtimit të bazës ushtarake sovjetike, do të njoftoheshin në tetor, me rastin e vizitës së mareshalit Zhukov në Shqipëri. Ashtu si në rastin e ardhjes së divizionit jugosllav në Shqipëri, vendimin e kishte marrë një klikë e përbërë nga Hoxha, Shehu dhe Beqir Balluku, ku tashmë Shehu kishte zëvendësuar Xoxen. Protokolli sekret ishte ekuivalenti i marrëveshjes për ardhjen e divizionit jugosllav (apo divizioneve) në Shqipëri, në 1948. Protokolli ishte marrëveshja për pushtimin ushtarak sovjetik të Shqipërisë. Nuk është e rastësishme që me nënshkrimin e protokollit do të vizitonte Shqipërinë për herë të parë një ministër i Mbrojtjes sovjetik- i takoi të ishte mareshali Zhukov. Derisa i takoi të ishte Zhukovi, ngjarja historike kishte marrë edhe konotacionin e intrigave të politikës kremliniane. Hoxha, i cili gjithë jetën e tij si politikan kujdesej që të mungonte në ngjarjet ku prania e tij ishte e obligueshme dhe e pritur, por që mund ta dëmtonte atë në njëfarë mënyre, nuk bëri këtë gjë kur erdhi në Shqipëri mareshali Zhukov, ministri i Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik, në tetor 1957. Hoxha shkruan në ditarin e vet në 17 tetor 1957:
Sot erdhi për vizitë në vendin tonë mareshali Zhukov, ministër i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, kuadër i vjetër i Partisë Bolshevike e Hero i Ushtrisë së Kuqe. Dolëm e pritëm në aeroport. Para se të vinte këtu Zhukovi kishte qenë në Jugosllavi. Në mesditë e prita në Komitetin Qendror ku, ku zhvilluam bisedime për çështje të ndryshme.[ii]
Pas atij incidenti që kishte ndodhur në takimin e Hoxhës me Hrushovin, në në Moskë, në gusht të atij viti, në lidhje me Zhukovin, Hoxha, sipas stereotipit të tij duhet të ishte treguar më i kujdesshëm. Aq më tepër kur Hoxha thotë se atij i bëri përshtypje reagimi i Hrushovit:
Hrushovi më tha se mareshali Zhukov, i cili do të vejë në Jugosllavi, do të vijë edhe në Shqipëri për vizitë. Më gëzoi lajmi për vizitën e Zhukovit por më bëri përshtypje reagimi që shkaktoi te Hrushovi reagimi që shpreha në këtë rast. «Shikoni Enverin sa i gëzuar është që do të vejë Zhukovi» u tha ai shokëve.[iii]
Hoxha e kuptoi se Hrushovi aludonte se ai simpatizonte ata që shiheshin si rivalët e Hrushovit në udhëheqjen sovjetike, madje në rastin e Hrushovit kishte filluar të dyshohej se ashtu siç bëri puç në maj të atij viti për ta rikthyer Hrushovin në pushtet, ashtu mund të bënte për ta rrëzuar nga pushteti dhe për ta zënë vetë vendin e tij. Kjo duhet ta bënte Hoxhën që të mos ekzagjeronte në pritjen që do t’ i bënte Zhukovit kur të vinte në Shqipëri. Hoxha bëri të kundërtën, duke thyer madje edhe rregullat protokollare dhe duke dalë ta priste Zhukovin në aeroport. Në ato rrethana kjo ishte një sfidë ndaj Hrushovit. Hoxha po e priste Zhukovin si pasardhësin e Hrushovit në krye të partisë dhe të qeverisë sovjetike.
Me rastin e vizitës së Zhukovit Hoxha do të fliste në Byronë Politike, në 24 tetor, diçka më hollësisht për çështjen e bazës ushtarake sovjetike në Shqipëri, por pa treguar se tashmë ishte nënshkruar protokolli ushtarak mes dy vendeve për këtë çështje. Hoxha ishte shumë entuziast për ndërtimin e bazës, duke dhënë konsiderata ushtarake nga pikëpamja e kolaboracionistit rus:
për flotën sovjetike të Detit të Zi një pengesë e madhe janë Dardanelet, Bosfori, dhe ishujt e shumtë të Greqisë.[iv]
Këto gjëra i kishin thënë edhe carët rusë, qëkurse kishin dalë në brigjet e Detit të Zi, që nga koha e Pjotrit të Madh dhe deri tek i fundit, Nikolla II, i cili kishte hyrë në Luftën e Parë Botërore për të marrë Dardanelet dhe Konstantinopolin. Car Pjotri i Madh e kishte quajtur Konstantinopolin «çelësi i shtëpisë sime», një çelës të cilin nuk e kishte ai, por të tjerët, dhe që i mbyllte portën e daljes në Mesdhe. Tashmë, falë Hoxhës, i cili e kishte bërë Shqipërinë satelit të Rusisë, një mareshal rus mund të thoshte atë çka pohon Hoxha se kishte thënë Zhukovi:
Zhukovi u ka thënë oficerëve të tij: Përse i mbani nëndetëset në bregun e Detit të Zi? Ne duhet të arrijmë që ta asgjesojmë flotën e 6-të amerikane që nga bazat e Shqipërisë.[v]
Hoxha po shfaqej si kampion i imperializmit rus, tashmë të veshur me ngjyra ideologjike. Hoxha, i cili nuk kishte munguar të jepte konsiderata historike, për marrëdhëniet e Shqipërisë me Lindjen e Perëndimin, siç e kam cituar më lart në këtë libër, këtë herë evitoi ta bënte këtë gjë. Hoxha u tha politbyroistëve të tij në mbledhjen e 24 tetorit:
T’ i dalim punës përpara, të marrim iniciativën dhe t’ i themi Zhukovit se ne nuk kërkojmë të na japin aq e kaq (luftanije, armatim-K. M.) por që mbrojtja e vendit tonë të konsiderohet si mbrojtje e çdo pike të Bashkimit Sovjetik. Në rast se Sevasopoli është qendër e rëndësishme ushtarake për Bashkimin Sovjetik, ne mendojmë që Vlora të bëhet një kështjellë përpara Sevastopolit për të shkatërruar tentativat dhe flotën e armikut, që në asnjë mënyrë të mos hyjë në Detin e Zi... Ne nuk na rëndohet ekonomia dhe nga ana tjetër Bashkimit Sovjetik do t’ i vijë shumë mirë për një kërkesë të tillë.[vi]
Hoxha me këtë donte të siguronte regjimin e vet nga çdo rrezik ushtarak i jashtëm. Për këtë qëllim Hoxha pranonte që në rast lufte midis Traktatit të Varshavës dhe NATO-s Vlora dhe pas të gjitha gjasave dhe krejt Shqipëria të shndrroheshin në mburojë për Sevastopolin, portin kryesor ushtarak sovjetik në Detin e Zi dhe për pjesën jugperëndimore të Bashkimit Sovjetik, duke ofruar që ai të mbrohej edhe me çmimin që të digjej Vlora dhe krejt Shqipëria. Me këtë, Hoxha e vinte Vlorën dhe krejt Shqipërinë, në rast të një lufte midis Traktatit të Varshavës dhe NATO-s, para rrezikut të asgjesimit total, pasi këtu forcat e NATO-s do të detyroheshin që të përqëndronin goditjen e parë për të eliminuar grupimin ushtarak rus në prapavijën e tyre. Fjalët e Hoxhës për djegien e Vlorës dhe të Sevastopolit, në rast lufte midis NATO-s dhe Traktatit të Varshavës natyrisht që dolën jashtë asaj salle, në formë thashethemesh dhe u mësuan nga shqiptarët, duke i tronditur thellë ata. Në 14 nëntor 1961, kur Bashkimi Sovjetik tashmë e kishte braktisur bazën e Vlorës dhe Shqipërinë, Hoxha do të thoshte në fjalimin që mbajti në një miting në qytetin e Gjirokastrës:
“Iku ajo kohë kur Ibrahim Pasha i Beratit, të cilin Ali Pashë Tepelena e kishte vënë përpara, i propozonte një gjenerali të Napoleon Bonapartit t’ i shiste Vlorën «për 40 aspra» për të shpëtuar kokën.[vii]
Hoxha në 1957 e shiti Vlorën për të siguruar pushtetin e vet dhe mbrojtjen e regjimit të vet. Hoxha tha në mbledhjen e Byrosë Politike në tetor 1957:
Armatimi i raketave, nëndetëseve, kryqëzorëve etj., në Vlorë e gjatë bregdetit tonë do të tregojë përpara botës se Bashkimi Sovjetik do ta mbrojë Shqipërinë.[viii]
Këto fjalë duheshin lexuar se kështu bota do ta kuptonte se Bashkimi Sovjetik do ta mbronte regjimin komunist në Shqipëri. A e kuptonte Hoxha se përse Stalini nuk e kishte pranuar kërkesën e tij për të ndërtuar një bazë ushtarake sovjetike në bregdetin shqiptar, gjë të cilën Hoxha e deklaroi edhe në mbledhjen e Byrosë Politike në 24 tetor?[ix]Hoxha nuk ua shpjegoi politbyroistëve të vet përsenë e refuzimit të Stalinit, gjë të cilën vështirë se e kishte të qartë edhe Hoxha. Por Hrushovi dhe Zhukovi e dinin se arsyeja për të cilën Stalini nuk kishte pranuar ofertën e Hoxhës për të ndërtuar një bazë të tillë ushtarake në Shqipëri, ishte se ai ishte angazhuar në Konferencën e Yalta se Bashkimi Sovjetik nuk do të kishte baza ushtarake në bregdetin perëndimor të Ballkanit, që do ta nxirrte atë në Mesdhe. Që Hrushovi dhe Zhukovi e kishin të qartë këtë gjë, kjo kuptohet nga fakti se sipas protokollit ushtarak të 3 prillit 1959, u vendos që ushtarakët sovjetikë të mbanin uniformë shqiptare dhe po ashtu anijet të mbanin vetëm flamurin shqiptar.[x]Pra, u bë e njëjta gjë që do të bëhej në Kubë pak kohë më vonë. Ajo çka nuk e kishin llogaritur Hrushovi dhe Zhukovi, ishte se SHBA nuk shikonte aparencën por thelbin e çështjes. Për to prania e kaq shumë anijeve luftarake në Vlorë do të thoshte se në Shqipëri gjendeshin forca konsistente ushtarake sovjetike, çka për Perëndimin ishte e patolerueshme. Vetë Hrushovi e pohon se sa e rrezikshme ishte për Perëndimin kjo gjë, kur shkruan në kujtimet:
Falë pozicionit të vet Shqipëria përbënte një kërcënim serioz për veprimtarinë e bllokut ushtarak të NATO-s në detin Mesdhe. Prandaj në atë kohë ne u morëm vesh me shqiptarët për të ngritur tek ata një bazë nëndetësesh. Ne kështu po vepronim në interes të të gjitha vendeve socialiste. Kështu u miratua vendosja atje e 12 nëndetësve. Merreni me mend, ky ishte një përqëndrim ushtarak mjaft i fuqishëm- 12 nëndetëse në detin Mesdhe. Me një përqëndrim të tillë duhet të përballeshin kundërshtarët tanë.[xi]
Me flotën sovjetike në Vlorë, sovjetikët siguronin avantazhe të mëdha strategjike në lojën e madhe gjeopolitike që kishin filluar në Mesdhe. Flota sovjetike e stacionuar në Mesdhe do të inkurajonte regjimet e majta antiamerikane që kishin filluar të lindnin në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, si dhe do të inkurajonte forcat e këtij lloji në vende të tjera. Mungesa e bazës së Vlorës u duk kur flota sovjetike disa vite më pas doli masivisht në Mesdhe dhe nuk pati bazë ku të ankorohej. Ekzistenca e kësaj baze ushtarake sovjetike do t’ i nxiste shumë forcat komuniste në Itali, e cila kishte qenë disa herë në prag të luftës civile, por edhe në Greqi. Flota sovjetike në Vlorë, në rast konflikti, ata mund t’ i mbyllte rrugën e vetme detare Jugosllavisë komuniste rebele, duke i nxitur shumë forcat prosovjetike në këtë vend. Me shndrrimin e bazës ushtarako-detare të Vlorës në bazë të Traktatit të Varshavës, çka do të thonte praktikisht në bazë sovjetike, u përmbush në një farë mënyre ëndërra e vjetër e strategëve rusë të të gjitha kohrave për të siguruar një bazë për flotën ruse në ujrat e ngrohta. Por, pengimi i realizimit të kësaj aspirate gjeostrategjike ruse pati qenë imperativi gjeostrategjik i Britanisë së Madhe prej shumë brezash dhe ky imperativ u adoptua nga gjeostrategjia amerikane pas Luftës së Dytë Botërore. Në Jaltë, Britania e Madhe insistoi që Bashkimi Sovjetik të qendronte larg Mesdheut dhe Stalini e pranoi këtë kusht. Hrushovi kishte të drejtë kur thoshte se me flotën sovjetike në Vlorë Perëndimi përballej me një rrezik të madh, por ajo që Hrushovi eviton ta përmendë është se Perëndimi nuk mund të rrinte pa reaguar përballë këtij rreziku, ashtu siç veproi pak kohë më pas kur Hrushovi instaloi raketat sovjetike në Kubë.
Me rolin e ri strategjik që sovjetikët i dhanë Shqipërisë, rifilloi edhe mbimilitarizimi i vendit, për të cilin Hrushovi shkruan në kujtimet:
Ne kemi harxhuar mjete të shumta për të ndihmuar Shqipërinë. Vendeve të tjera ne u ofronim ndihmë me kushte favorizuese, ndërsa ndihma ndaj Shqipërisë u realizua mbi një bazë tjetër, kryesisht nëpërmjet rrugës së dhurimit. Mbajtjen e ushtrisë shqiptare gati tërësisht e morëm ne përsipër: atë e furnizonim me uniforma, me ushqime, me armatime, municione, dhe të gjitha këto gratis.
E përse? Në këtë aspekt ne kishim arsyet tona dhe çdo njeri me logjikë normale që di ta analizojë situatën, në të cilën jetonim ne në atë kohë, do të na kuptojë dhe do t’ i justifikojë plotësisht këto veprime. Duhet pasur parasysh se atëherë ishte krijuar Pakti i Atllantikut Verior. Shqipëria kishte një pozicion të favorshëm strategjik në Detin Mesdhe dhe ne e konsideronim atë si bazë të vendeve socialiste në këtë det. Prandaj shtrohej dilema: a ishte e nevojshme që ne, në vija të përgjithshme, të mbanim atje ushtrinë tonë, apo të krijonim një ushtri të fortë shqiptare? Realisht Shqipëria mund të mbante një ushtri të vogël në numër, e cila nuk do të ishte në gjendje t’ i bënte ndonjë përshtypje kundërshtarit.[xii]
Kështu, Moska e kapërceu këtë dilemë duke bërë diçka nga të dyja, edhe duke sjellë ushtrinë sovjetike në Shqipëri, edhe duke fuqizuar ushtrinë shqiptare. Ky do të ishte ndërmarrja e vetme me vlerë për modernizimin dhe fuqizimin e ushtrisë shqiptare gjatë kohës së regjimit komunist, por që nuk do të vazhdonte se do të ndërpritej nga prishja me Bashkimin Sovjetik pak vjet më pas. Në kohën që Tarasi-Herman mendonte se e kishte gjetur përfundimisht kombinacionin magjik të letrave, me bazën e Vlorës si letrën plotësuese, Hrushovi e bëri që të shikojë fytyrën e «konteshës plakë» në letrat e tij. Hoxha shkruan në ditar në 26 tetor 1957:
Përcollëm në aeroport mareshalin Zhukov. Por, si të thuash, ndërsa aeroplani në të cilin ai kishte hipur vazhdonte të fluturonte në drejtim të Moskës, TASS-i njoftonte se Presidiumi i Sovjetit Suprem të BS e kishte shkarkuar Zhukovin nga detyra e ministrit të Mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik dhe se në vend të tij kishte emëruar mareshalin Malinovski.
Më habiti shumë fakti që një vendim kaq i rëndësishëm e për një person që ishte edhe anëtar i Presidiumit të KQ të PK të BS merret kur ai ndodhej për vizitë jashtë vendit. Pavarësisht cilat janë arsyet e motivet, mënyra e shkarkimit është krejtësisht antidemokratike; bie erë puçi.[xiii]
Në rast se Hoxha nuk e kishte kuptuar krejtësisht domethënien e aluzionit të Hrushovit në takimin e tyre në gusht, tashmë çdo gjë ishte e qartë. Në lidhje me shkarkimin e Zhukovit, në librin «Historia e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik», i botuar në 1959 në Moskë, dhe i përkthyer në të njëjtin vit në Shqipëri, thuhet:
Duke luftuar kundër devijimeve nga marksizëm-leninizmi, kundër të gjitha shkeljeve të parimeve leniniste të udhëheqjes, partia zbuloi të meta serioze në punën politike të partisë në ushtrinë sovjetike dhe në flotë. U pa se G. K. Zhukovi, duke qenë ministër i mbrojtjes, i kishte shkelur parimet leniniste të Forcave të Armatosura të BRSS. Ai përpiqej të kufizonte punën e organizatave të partisë dhe të organeve politike, të këshillave ushtarake, të likuidonte udhëheqjen dhe kontrollin e Forcave të Armatosura nga ana e Partisë, e KQ të saj dhe e Qeverisë Sovjetike. Në Ushtrinë Sovjetike me pjesëmarrjen personale të Zhukovit kishte filluar të zhvillohej kulti i personit të tij, të rritej pa masë roli i lojtur prej tij në Luftën e Madhe Patriotike. Në këtë mënyrë shtrembërohej historia e vërtetë e luftës: nënvleftësoheshin përpjekjet e popullit sovjetik, heroizmi i Forcave të Armatosura, roli i komunistëve dhe i punëtorëve politikë, arti ushtarak i komandantëve sovjetikë, zvogëlohej roli udhëheqës dhe frymëzues i Partisë Komuniste. Plenumi i KQ të PKBS, që u mbajt në tetor të vitit 1957, në vendimin ‘Mbi përmirësimin e punës politike të partisë në ushtri dhe në flotë’ i dënoi shkeljet e rënda të parimeve leniniste të udhëheqjes së Forcave të Armatosura dhe e hoqi Zhukovin nga organet udhëheqëse të partisë.[xiv]
E parë nën dritën e kësaj vërejtja e Hrushovit ndaj Hoxhës për Zhukovin, në gusht 1957, e nxirrte qartësisht Hoxhën bashkëpunëtor të konspiratorëve në Kremlin. Disa ditë pas largimit të Zhukovit u nis në Bashkimin Sovjetik, duke udhëtuar me avion. Tito këtë herë nuk e çoi në kalvarin e mundimshëm detar, çka tregon se Hoxha tekefundit qe treguar i dëgjueshëm ndaj Hrushovit për qëndrimin ndaj Titos dhe nuk e kishte sharë më këtë të fundit. Hoxha shkoi në Moskë për të marrë pjesë në celebrimin e 40 vjetorit të Revolucionit të Tetorit dhe në mbledhjen e madhe të partive komuniste e punëtore të botës, të parën e këtij lloji që nga viti 1935. Me këtë Hoxha hynte në klubin e komunizmit ndërkombëtar. Në 1947, kur qe celebruar 30-vjetori i Revolucionit të Tetorit Hoxha nuk ishte ftuar në Moskë. Në 7 nëntor 1957 Hoxha për herë të parë mori pjesë në një pritje në Kremlin me rastin e Revolucionit të Tetorit, ku qenë të pranishme të gjitha delegacionet e huaja. Por edhe këtë herë kënaqësia e Hoxhës u prish nga diçka që ndodhi tre ditë më pas, për të cilën ai shkruan në ditar:
Udhëheqësit sovjetikë sot pritën në Kremlin delegacionin gjerman, polak, korean, çekosllovak, si dhe delegacionin jugosllav. Protokoll i çuditshëm.[xv]
Delegacionin shqiptar Hrushovi do ta priste tre ditë pas atij jugosllav, në 13 nëntor, një ditë para se të fillonte Konsulta e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve socialiste, ku, me gjithë përpjekjet e Hrushovit jugosllavët nuk morën pjesë. Por jugosllavët morën pjesë në mbledhjen e madhe të përfaqësuesve të 64 partive komuniste e punëtore të botës, e cila u mbajt në Moskë në 16-19 nëntor. Edhe pse në fund të mbledhjes që u quajt Konsultës u miratua i ashtuquajturi «Manifesti i paqes», në Perëndim kjo mbledhje u komentua si rikrijim i Kominternit. Gjatë mbledhjes së madhe të komunizmit ndërkombëtar ranë në sy divergjencat sovjeto-kineze të cilat në dukje qenë ideologjike. Mao Ce Dun, i cili ishte i pranishëm në mbledhje, në vizitën e tij të fundit në Moskë, do të polemizonte tërthorazi me atë cka pas Kongresit XX qe bërë ortodoksia e politikës së jashtme sovjetike:
Unë kam thënë se të gjithë reaksionarët, të vetëquajtur të fuqishëm, nuk janë vecse tigra prej letre. Arsyeja është se ata janë të shkëputur nga populli. Shikoni, a nuk ishte Hitleri një tigër prej letre? A nuk u përmbys Hitleri? Unë kam thënë gjithashtu se cari rus ishte tigër prej letre. Ju e shikoni se ata janë përmbysur që të gjithë. Imperializmi amerikan nuk është përmbysur, ai ka edhe bombën atomike. Unë mendoj se ai gjithashtu do të përmbyset, edhe ai është tigër prej letre.[xvi]
Me këtë Mao Ce Dun sfidonte Hrushovin, i cili deklaronte se në epokën bërthamore bashkëekzistenca paqësore ishte e vetmja alternativë për të dy blloqet globale kundërshtare, ndërsa socializmi do të fitonte në mënyrë paqësore. Ekstremizmi i Mao Ce Dunit në fakt shprehte pasigurinë e tij, si në rrafshin e brendshëm në Kinë, ashtu dhe në rrafshin e jashtëm, sa i përkiste pozitës së Kinës komuniste në Lindjen e Largme dhe në Azinë Juglindore. Për Hrushovin, sfida e Mao Ce Dunit ishte krejt e ngjashme me sfidën e Titos ndaj Stalinit.
Mao Ce Duni, ashtu si Tito donte që të kishte ndihmën e Bashkimit Sovjetik për industrializimin e Kinës dhe për shndërrimin e saj në një fuqi të rëndësishme ushtarake (Mao Ce Duni donte që sovjetikët ta ndihmonin të bënte dhe bombën atomike). Mao Ce Dun, ashtu si Tito, donte që Bashkimi Sovjetik ta mbështeste për të marrë territoret që i qenë shkëputur Kinës dhe në rradhë të parë Taiëan-in. Madje gjërat komplikoheshin se Mao Ce Duni nuk njihte praktikisht dhe kufirin mes Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, derisa as tash që dy vendet qenë aleate mes tyre nuk u arrit një marrëveshje për delimitimin e kufirit, cka mbetej një problem i trashëguar mes dy vendeve që vinte se territore të gjera kineze qenë marrë nga Rusia në kohën imperiale, me marrëveshje që Pekini i quante të imponuara.
Hrushovi ishte në gjendje dhe donte të kënaqte kërkesat e Mao Ce Dun, edhe më pak se c’ ishte në gjendje dhe donte Stalini të kënaqte kërkesat e Titos. Kina ishte shumë më e madhe se Jugosllavia, dhe në Moskë dhe për më tepër, sikur të ishte e mundur që kërkesat e Pekinit të kënaqeshin, Kina do të bëhej një rrezik për Bashkimin Sovjetik. Perspektiva e një Kine të fuqishme ngjallte tek rusët fantazmën e invadimeve mongolo-tartare, e cila qe ngulur thellë në kujtesën historike ruse. Për Moskën do të kishte qenë ideale që Kina të ishte ndarë në dy pjesë thuajse të barabarta horizontalisht, ku pjesa veriore të ishte komuniste dhe ajo jugore kapitaliste, të cilat do të kundërbalanconin njëra-tjetrën, për komoditetin e Moskës, por edhe të Washington-it. Stalini, me djallëzinë e tij të zakonshme, në 1948 ia propozoi Mao Ce Dunit ndarjen e Kinës, përgjatë Lumit Jance, por ky e refuzoi dhe lëshoi ofensivën për kontrollin e gjithë vendit, dhe në fund të vitit tjetër kontrollonte gjithë Kinën kontinentale.
Stalini pranoi aventurën totalisht kineze të bashkimit me forcë të Koresë, duke qenë i bindur se amerikanët do të gjenin rastin ta zgjidhnin për të problemin kinez. Stalini priste që amerikanët jo vetëm të ndërhynin ushtarakisht për të mbrojtur Korenë e Jugut, por të zbarkonin dhe në Kinën kontinentale së bashku me ushtrinë antikomuniste kineze të Taiëanit, për të marrë nën kontroll Kinën jugore deri në Lumin Jance. Por amerikanët nuk e bënë këtë gjë, kështu që Kina e madhe komuniste do të ishte një problem të cilin Stalini ia la si trashëgim pasardhësve të tij, dhe në radhë të parë Hrushovit. Ironikisht, Hrushovi, i cili do ta qortonte Stalinin për prishjen me Jugosllavinë, do të adoptonte në thelb të njëjtën politikë ndaj Kinës. Gjatë vizitës së Mao Ce Dunit në Moskë, në 1957, Hrushovi e kuptoi atë që kuptoi Stalini nga takimi me Titon në Moskë, në 1946, se aventurizmi i aleatit kinez ishte një luks të cilin Bashkimi Sovjetik nuk mund t’ ia lejonte më gjatë vetes. Edhe pse Hrushovi, për të mos dështuar mbledhja e madhe e komunizmit ndërkombëtar e nëntorit 1957, bëri kompromis me Mao Ce Dunin, duke pranuar pjesërisht tezat e tij në deklaratën përfundimtare, tashmë Hrushovi e kishte ndarë mendjen për t’ u distancuar nga aleati problematik dhe në 1959 Bashkimi Sovjetik anuloi marrëveshjen me Kinën për ta furnizuar atë me teknologji bërthamore. Krejt ashtu sic ndodhi edhe me Titon, mungesa e alternativës serioze sovjetike, do ta conte Mao Ce Dunin më pas në bashkëpunimin me SHBA kundër Bashkimit Sovjetik.
Hoxha e ka mirëpritur carjen sovjeto-kineze që u vu re gjatë mbledhjes së komunizmit ndërkombëtar se ka menduar që ajo do të bënte që Hrushovi të largohej nga pushteti, si përgjegjës për përcarjen e komunizmit ndërkombëtar.
2.
Sekretari i Parë turist luksi: Treni po çan përpara, vagonët i kemi speciale, të veçantë, komodë
Hoxha, si bon vivant që ishte, gradualisht filloi ta teprojë me udhëtime e pushime të zgjatura në vendet e kampit socialist, duke ia lënë punët në Shqipëri Shehut. Hoxha përfitoi dhe nga fakti që tashmë kishte hyrë në përdorim avioni reaktiv për udhëtime civile, çka bënte që distanca mes Tiranës, Moskës dhe kryeqyteteve të tjera të vendeve socialiste të shkurtohej shumë. Ai shkruan në kujtimet në 24 nëntor 1957:
Në mëngjes u nisëm nga aeroporti i Vnukovos... Aeroplani Tu-104 pas tri orësh na solli në atdheun tonë të dashur.[xvii]
Në «atdheun e dashur» tashmë Hoxha do të rrinte vetëm në intervalet mes udhëtimeve të tij jashtë vendit. Për t’ i bërë të mundura këto udhëtime Hoxha eksploitonte çdo mbledhje ndërkombëtare, ftesat për vizita zyrtare, dhe veç këtyre bënte edhe pushime të zgjatura jashtë vendit. Nga 18 maj- 25 maj 1958 Enver Hoxha do të gjendej në Moskë, për një konsultë të KNER dhe në mbledhjen e Komitetit Politik konsultativ të Traktatit të Varshavës.[xviii]Për Hoxhën preokupimi kryesor nuk qenë më problemet e vendit të tij, por marrëdhëniet e Hrushovit me Titon nga të cilat varej qëndrimi i tij në pushtet. Hoxha në ditarin e vet bën vërejtje të ngjashme me ato të një oborrtari që vëzhgon sjelljen e mbretit me kundërshtarët e tij. Kështu ai shkruan në ditar, në 24 maj 1958, për drekën e dhënë nga Hrushovi për udhëheqësit e vendeve pjesëmarrëse:
Në drekën e dhënë në Kremlin për çudinë tonë mori pjesë edhe ambasadori jugosllav në Moskë, Miçunoviç, dhe Hrushovi ngriti dolli për 'forcimin e kampit socialist, për Kinën, Vietnamin dhe për Jugosllavinë, bile edhe për 'shëndetin e shokëve Tito e Miçunoviç![xix]
Tashmë ishte bërë një gjë e rëndomtë që Hoxha, gjatë këtyre vizitave, të gjendej në tryezë me jugosllavët. Që Hoxha e piu dollinë për shëndetin e Titos kuptohet nga fakti se të nesërmen ai u kthye në Shqipëri me avion, gjë për të cilën ai shkruan në ditar, në 25 maj 1958:
U nisëm me avion për në Tiranë nëpërmjet Bukureshtit pse me ne udhëtoi edhe delegacioni rumun. Mbërritëm mirë në Tiranë.[xx]
Ndërmjet Hrushovit dhe Titos tashmë ishte krijuar një marrëdhënie volatile thuajse rituale, e cila mund të definohej me sloganin e Leninit «Një hap para, dy hapa prapa», duke qenë se ata të dy aty pajtoheshin dhe aty prisheshin, varësisht bindjes apo mosbindjes që tregonte Tito ndaj Hrushovit. E gjithë kjo për pezmin apo kënaqësinë e Hoxhës, sipas rastit. Disa ditë më pas Hoxha do të udhëtonte përsëri jashtë vendit, në drejtim të Bullgarisë, ku do të qëndronte nga 31 maji në 12 qershor, për të marrë pjesë në kongresin e partisë dhe për pushime. Kjo vizitë në Bullgari do t’ i jepte Hoxhës një kënaqësi të dyfishtë, për të cilën ai shkruan në ditar, në 3 qershor 1958, duke komentuar fjalimin e Hrushovit në kongresin e partisë bullgare:
Përshëndetja e Hrushovit, si zakonisht shumë e gjatë, më befasoi e më gëzoi. Ai kritikoi programin e lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, duke shtuar se atë e kishin dënuar edhe partitë e tjera komuniste e punëtore.
Deklaroi se rezoluta e Informbyrosë e vitit 1948 qe krejtësisht e drejtë dhe u përgjigjej interesave të lëvizjes komuniste revolucionare!
Tha se revizionizmi i sotëm është njëfarë «kali i Trojës» dhe revizionistët janë agjentë imperialistë, prandaj zjarri kryesor i partive komuniste e punëtore drejtohet ndaj tyre.
Kishim kohë që s’ e kishim dëgjuar të fliste kështu shokun Hrushov! Do ta botojmë fjalimin në shtypin tonë, bile këtë radhë pa hezitim e me qejf.[xxi]
Hoxha është i kënaqur si ai oborrtari ndaj të cilit mbreti tregon një përfillje të veçantë. Ai shkruan në ditar:
Në mbrëmje vajtëm në operë. Më morën në llozhën kryesore ku ishte Hrushovi.[xxii]
Pas kongresit ditët kaluan me zbavitje në resortet speciale në Bullgari, për të cilat Hoxha shkruan në ditar, në 8 qershor 1958:
Shokët bullgarë më morën dhe bashkë me Hrushovin e Tupolevin shkuam në Borovec dhe Rila. Mbrëmjen e kaluam në rezidencën e Hrushovit ku hëngrëm drekë.[xxiii]
Por një muaj më pas në korrik, kongresi i partisë gjermane nuk do të ishte kaq i këndshëm për Hoxhën, i cili do të pezmatohej nga një afrim i ri i Hrushovit me Titon, për të cilin Hoxha do të thoshte në fjalimin e mbajtur në 7 nëntor 1961 në mbledhjen solemne për 20-vjetorin e krijimit të PPSH, ku thotë për Hrushovin:
Me një shkathtësi të habitshme dhe në kundërshtim me logjikën më elementare, ai, në Kongresin V të Partisë Socialiste të Bashkuar të Gjermanisë, në korrik të vitit 1958, dha orientimin që të mos flitet për revizionistët jugosllavë, duke thënë: «Në luftën tonë për çështjet e përbashkëta nuk duhet t’ u kushtojmë revizionistëve jugosllavë më shumë vëmendje sesa e meritojnë. Ata duan që t’ u ngrihet vlera, që njerëzit të mendojnë se ata janë qendra e botës. Ne nuk do të ndihmojmë në ndezjen e pasioneve, në ashpërsimin e marrëdhënieve. Edhe në gjendjen e krijuar në marrëdhëniet tona me Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë do të jetë e dobishme të ruhet një shkëndijë shprese, të kërkohen forma të pranueshme për disa çështje».[xxiv]
Në këtë kohë edhe Hoxha pushoi së foluri publikisht kundër Titos. Dhe meqënëse Hoxha nuk do të merrej me Titon, ai kishte kohë të shkonte për pushime të zgjatura në Çekosllovaki. Ai shkruan në ditar, në 12 korrik 1958:
Bashkë me Nexhmijen e fëmijët u nisa për pushime në Çekosllovaki.[xxv]
Në Çekosllovaki Hoxha do të qëndronte nga 12 korriku në 29 gusht 1958, çka kuptohet kur në 29 gusht 1958 shkruan në ditar:
U nisëm me avion nga Praga dhe arritëm në Tiranë.[xxvi]
Gjatë kohës që ishte me pushime të zgjatura në Çekosllovaki Hoxha do të merrej me Shqipërinë vetëm për të organizuar spektakle propagandistike antiamerikane. A shkruan në ditar në 19 korrik 1958:
Në një radiogram që i dërgova shokut Hysni, midis të tjerave, e porosita të organizohen manifestime kundër agresionit imperialist të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe kundër Libanit dhe Jordanisë.[xxvii]
Në intervalin mes dy qëndrimeve të gjata jashtë vendit, Hoxha gjeti rastin të bënte një tur në Shqipërinë e Jugut, në tetor-nëntor, në Tepelenë, Përmet, Berat, Korçë. Sa për Shqipërinë e Veriut, atë Hoxha në këtë periudhë do ta shikonte nga avioni, duke udhëtuar për në Bashkimin Sovjetik, ku u nis përsëri në dhjetor. Në 9 dhjetor 1958 ai shkruan në ditar:
U nisëm për në Moskë.[xxviii]
Të nesërmen, në 10 dhjetor Hoxha shkruan në ditar:
Rezidencën na e kanë caktuar në Kremlin.[xxix]
Kjo është hera e parë dhe e vetme që ndodh një gjë e tillë. Hoxha nuk e përmend që t’ i ketë ndodhur në kohën e Stalinit. Në 15 dhjetor Hoxha shkruan në ditar:
Asistuam në mbledhjen e plenumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik për bujqësinë.[xxx]
Edhe kjo gjë ndodh për herë të parë. Duket se ky nder po i bëhej meqënëse «xhevahiri» do të ishte një vend bujqësor-blegtoral. Në fillim të janarit Hoxha do të shkonte nga Bashkimi Sovjetik në Gjermaninë Lindore. Në 7 janar 1959, ai shkruan në ditar:
Në orën 9 të mëngjesit arritëm në Berlin.[xxxi]
Tashmë ai do të udhëtonte në kryeqytetet e vendeve komuniste më shpesh se në qytetet e Shqipërisë së Veriut. Në 12 janar ai shkruan në ditar:
Arritëm në Pragë.[xxxii]
Në Çekosllovaki Hoxha do të kalonte pushime mbretërore. Ai, në 18 janar bën këtë shënim në ditar:
Jemi në malet e larta Tatra në «Javorina» . Koha është jashtëzakonisht e mirë, dielli shkëlqen mbi borë. Jemi në një vilë të bukur të rrethuar me pisha. Po çlodhemi e po përgatitemi të shkojmë për gjah.
Pasdreke e filluam gjahun. Unë shkova për dhi të egra. U ngjita në Tatra Llomnica me teleferik, pastaj kalova gërxhet përpjetë me këmbë, mbi borë e gurë. Lodhje e madhe, djersët çurkë, po dhitë asgjëkundi nuk dukeshin.[xxxiii]
Këtu derdhte djersë «Heroi i Punës Socialiste», në resortet e aristokratëve, i pakënaqur që dhitë e egra «reaksionare» nuk dilnin të prisnin udhëheqësit. Hoxha zgjatet shumë në përshkrimin e gjuetisë së dhive të egra, pa pyetur se ky nuk ishte një sport i denjë për një udhëheqës proletar:
por më së fundi ja, si pika të zeza në borë, në hon u duk një tufë dhish të egra rreth 250 m larg. Ngrita pushkën me dylbi, qëllova dhe dhia u godit. Ajo bëri edhe disa dhjetëra metra përpara e plagosur, pastaj mbeti në borë. Të tjerat «fluturuan».[xxxiv]
Vazhdimi i rrëfimit na paraqet një tablo krejt aristokratike, e cila mund të gjendej fare mirë në ditarin e një mbreti:
Pasdreke shkuam përsëri për gjah. Udhëtuam me karrocë, larg nga kufiri polak, thellë në mal. Gjë e mrekullueshme. Kasollet ishin përgatitur, qenë përgatitur gjithashtu ushqimet (gështenjë dhe bar) për kopetë e drerëve. Nata duhet të na zinte në kasolle dhe atje të mbyllur, të heshtur, pa pirë as cigar, duke vëzhguar nga dritaret e vogla, të prisnim ardhjen e drerëve... Prit e prit, pastaj larg nesh u duk një dre, po s’ lëvizte. Duke e fiksuar aq shumë me sy, na dukej sikur ai e ndiente rrezikun. Më në fund u afrua, e qëllova në kokë, mbeti në vend. Gjah i bukur. E hodhëm në karrocë dhe u kthyem.[xxxv]
Nëse do të kërkoni në ditarin e Hoxhës, nuk do të gjeni një përshkrim kaq të ndjerë për vizitat në miniera, apo kooperativa bujqësore, kur supozohej që atje udhëheqësi të kishte pasionet e veta më të fuqishme. Në 28 prill 1958 Hoxha vizitoi minierën e qymyrgurit të Mborje-Drenovës në Korçë, ku mbajti një fjalim para punëtorëve, të cilëve u tha:
Ju minatorët jeni elementi më i fuqishëm i klasës punëtore.[xxxvi]
Por asnjë përshkrim kaq i ndjerë sa ai i gjuetisë së dhive, apo derrit, nuk gjendet në ditarin e tij për këtë vizitë, apo për ndonjë vizitë tjetër në fabrika e kooperativa bujqësore. Gjatë vizitës së tij në minierën e Mborje-Drenovës Hoxha nuk shkoi as për së afërmi në mjediset ku punonin minatorët. Në veprën 15 bëhet ky sqarim për vizitën e Hoxhës në minierë:
Pas një takimi të shkurtër me drejtuesit e minierës, ku u interesua për çështjet e prodhimit, për sigurimin teknik dhe jetën e punëtorëve, shoku Enver Hoxha pati në kinoklubin e minierës një bisedë shumë të përzemërt me minatorët.[xxxvii]
Hoxha nuk shkoi të shikonte drejtpërdrejt kushtet e sigurimit teknik dhe të jetesës të minatorëve, por u informua për to nga burokratët e minierës. Kjo ishte tipike për stilin e tij. Edhe me minatorët nuk u takua pranë galerive, por në një sallë të mbyllur. Megjithë lavdërimin që u bëri minatorëve, si forca kryesore e klasës punëtore, kjo ishte hera e dytë që vizitonte një minierë gjatë 14 viteve që ishte në pushtet, pas vizitës që bëri në minierën e Selenicës në Vlorë, në 1947. Edhe më pas do të shkonte shumë rrallë në miniera. Vizita në minierën e qymyrgurit në Korçë, në 1958, ishte e para vizitë që bënte në një ndërmarrje industriale jashtë Tiranës, që prej vitit 1952, kur shkoi në Hidrocentralin e Matit. Hoxha, pas 14 vjetësh në pushtet, kishte vizituar sigurisht më shumë resorte turistike jashtë vendit, se miniera, fabrika e kooperativa bujqësore brenda vendit, pa përmendur këtu resorted speciale brenda vendit.
Nga Çekosllovakia Hoxha do të shkonte përsëri në Bashkimin Sovjetik. Ai shkruan në ditar, në 22 janar:
Në orën 11 u nisëm me tren drejt kufirit sovjetik. Arritëm në Çop, atje na priste Llaptievi.[xxxviii]
Udhëheqësi i diktaturës së proletariatit udhëton si një turist luksi. Ai shkruan në dita në 23 janar:
Treni po çan përpara, vagonët i kemi speciale, të veçantë, komodë. Vende të njohura, të dashura. Kudo ka borë, por jo borë e madhe.[xxxix]
Zbavitjet e Hoxhës nuk janë aspak të ngjashme me ato të klasikëve të marksizëm-leninizmit. Ai nuk parapëlqen shahun, si Lenini, por bilardon. Në 24 janar shënon në ditar:
Në mbrëmje si zakonisht bilardo dhe film.[xl]
Hoxha u rikthye në Bashkimin Sovjetik për të marrë pjesë në Kongresin XXI të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Kongresi XXI i PKBS u quajt kongresi i ndërtuesve të komunizmit. Hoxha do të thoshte për këtë kongres një vit më pas, gjatë vizitës së Hrushovit në Shqipëri:
Kongresi i 21-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, kongresi i ndërtuesve të komunizmit, është ngjarja më e madhe e këtyre kohërave. Tezat e reja teorike të shtruara në raportin e shokut Hrushov, si dhe vendimet e këtij kongresi, pasurojnë shkencën marksiste-leniniste, ato janë një ndihmë e paçmueshme për partitë komuniste e punëtore të vendeve socialiste, si dhe të gjithë vendeve të tjera.[xli]
Në Bashkimin Sovjetik, pas katër dekadash të sundimit të partisë komuniste, populli donte të dinte më në fund se kur do të ndërtohej shoqëria komuniste, çka ishte qëllimi final. Kjo kërkesë bazohej në teorinë leniniste të dy fazave të ndërtimit të komunizmit, sipas së cilës në fazën e parë ndërtohej socializmi, i cili më pas shndërrohej në komunizëm, kur gjithçka për të cilën njerëzit kishin nevojë do të gjendej me bollshëmëri. Tashmë populli shikonte se vetëm nomenklatura, klasa e re sunduese, kishte gjithçka me bollshmëri. Hrushovi, i cili kishte një sens prej komediani, në sesionin special të Sovjetit Suprem me rastin 40 vjetorit të Revolucionit të Tetorit, në 1957, paraqiti një plan 15 vjeçar për ndërtimin e shoqërisë komuniste. Kjo vinte si afat vitin 1972. Hrushovi, qartësisht, donte që komunizmi të ndërtohej sa kohë ishte gjallë ai. Hrushovi në atë kohë ishte 63 vjeç, çka do të thoshte se ky projekt do të realizohej kur Hrushovi të ishte 78 vjeç. Hrushovi llogariti pothuajse saktë vetëm jetëgjatësinë e vet. Ai vdiq në vitin 1971, një vit para se të përfundonte plani 15 vjeçar, që në fakt ishte braktisur pas rrëzimit të Hrushovit nga pushteti. Në kongres u tha se Bashkimi Sovjetik kishte hyrë në rrugën e ndërtimit të shoqërisë komuniste. Hrushovi paraqiti në kongres Planin e parë Shtatëvjeçar (hrushovian) të zhvillimit të ekonomisë, që ishte plani i parë për ndërtimin e shoqërisë komuniste. Hoxha foli në kongres duke lajkatuar Hrushovin si ndërtues të komunizmit, dhe ai pohon se ditirambet e tij u mirëpritën. Në 29 janar ai shënon në ditar:
Vazhdojnë diskutimet në kongres. Sot pasdreke m’ u dha fjala edhe mua. Përshëndetja ime u prit mirë dhe pati shumë duartrokitje.[xlii]
Në Shqipëri Hoxha nuk u dha afat për ndërtimin e komunizmit, as atëherë, as më vonë. Më në fund, pas dy muajsh, Hoxha do të kthehej në Shqipëri. A shënon në ditar në 10 shkurt 1959:
Sot u nisëm me avion për në Tiranë.[xliii]
Në Shqipëri Hoxhën e priste realiteti që kërkonte tributin e vet, në dëm të iluzioneve të krijuara nga propaganda e regjimit. Në 14 mars 1959 Hoxha shënon në ditar për pjesëmarrjen e tij në konferencën e partisë për Tiranën:
Pasdite fola unë, por nuk mbarova dot, sepse gjatë fjalimit tim, na u prenë dritat në sallë, prandaj e lamë mbledhjen për nesër. Ndërprerja e dritave duhet të jetë diçka e rastit, për arsye të linjave të vjetra.[xliv]
Të nesërmen, në 15 mars Hoxha shënon në ditar:
Çështja e dritave u sqarua; ndërprerja ndodhi për arsye defekti në rrjet.[xlv]
Pas 15 vitesh në fuqi të regjimit të Hoxhës vendi kishte mbetur prapë me linjat elektrike të kohës së monarkisë së Zogut dhe të pushtimit italian fashist! Bashkimi Sovjetik, i cili supozohej të kishte hyrë në fazën e ndërtimit të shoqërisë komuniste, kishte bërë për Shqipërinë shumë më pak se Italia fashiste.
3.
Karikatura e Fidel Kastros: Kriza shqiptare e raketave para asaj kubane
Kur studiuesit perëndimorë shqyrtojnë sjelljen e Hrushovit në atë që njihet si kriza kubane e raketave, e vitit 1962, atyre u ikën nga vëmendja një premisë themelore, që është kriza shqiptare e raketave, e vitit 1959, në të cilën Hrushovi u angazhua personalisht. Me këtë lidhet dhe vizita e Hrushovit në Shqipëri, në maj 1959. Kjo vizitë nuk ka qenë e planifikuar kohë përpara siç ndodh në raste të tilla, veçanërisht siç ndodhte në vendet komuniste. Hoxha shkruan në ditar, në 11 maj 1959, katërmbëdhjetë ditë para ardhjes së Hrushovit:
Takim me ambasadorin sovjetik. Më dha lajmin se Hrushovi do të vijë në Shqipëri.[xlvi]
Vizita e Hrushovit në Shqipëri bëhej një muaj pasi SHBA-të patën shpallur planin për të dislokuar raketa bërthamore me rreze të mesme në Itali, Greqi dhe Turqi, dhe shënonte reagimin më të fortë sovjetik ndaj kësaj lëvizjeje amerikane. Dislokimi i raketave amerikane me rreze të mesme veprimi në Europë ishte reagimi i drejtpërdrejtë ndaj testimit nga Bashkimi Sovjetik, një vit më parë, të së parës raketë balistike ndërkontinentale në botë. Hrushovi ishte mburrur në mënyrë të veçantë me këtë armë të re, e cila mund të qëllonte territorin amerikan drejtpërdrejt nga Bashkimi Sovjetik. Por kjo shkaktoi një histeri në SHBA, e njohur si missile gap. Presidenti Eisenhower reagoi duke deklaruar planet për të dislokuar raketa bërthamore amerikane me rreze të mesme në Europë, nga ku ato do të qenë në gjendje të godisnin territorin sovjetik. Ky ishte një boomerang për Hrushovin, i cili e ekspozonte Bashkimin Sovjetik para një rreziku të madh pasiqë ai ende kishte shumë pak raketa ndërkontinentale dhe kështu do të ishte për një kohë të gjatë, por në anën tjetër tashmë do të gjendej në rrezen e goditjes së raketave amerikane të dislokuara në Europë.
Në fillim SHBA kishin planifikuar që t’ i vendosnin raketat bërthamore në Britaninë e Madhe dhe Francë, por refuzimi i Presidentit francez De Gaulle, në qershor 1958, bëri që Washingtoni të shikonte alternativa të tjera, duke negociuar për vendosjen e raketave në Itali, Greqi dhe Turqi, më afër kufijve të Bashkimit Sovjetik. Në prill 1959 Washingtoni bëri të ditur se do të vendoseshin raketat me rreze të mesme në Itali dhe Greqi. Hrushovi, i inkurajuar nga refuzimi francez vendosi të bënte shantazh atomik ndaj Italisë dhe Greqisë, në mënyrë që në këto vende të prevalonin ato forca politike të cilat qenë kundër pranimit të raketave amerikane. Si skenë për të luajtur shantazhuesin atomik Hrushovi zgjodhi Shqipërinë, një vend fqinj me dy vendet ku do të vendoseshin raketat amerikane.
Hrushovi kishte një sens të teatralitetit politik, të cilin e shprehte edhe në politikën e jashtme, çka u duk edhe në vizitën e tij në Shqipëri. Vizita e Hrushovit në Shqipëri, në fund të majit 1959, do të koincidonte me skadimin e ultimatumit të parë gjashtëmujor që Hrushovi i kishte dhënë Perëndimit për zgjidhjen e çështjes së Berlinit. Për të treguar se okupimi me çështjen e raketave nuk do të thoshte se e kishte harruar ultimatumin për Berlinin, Hrushovi bëri që gjatë vizitës së tij në Shqipëri të gjendej edhe kryeministri gjermanolindor. Hoxha shkruan në ditar në 15 maj 1959:
Me ftesën tonë sot arriti në Tiranë Oto Grotevoli me gjithë bashkëshorten e tij për të kaluar pushimet në vendin tonë.[xlvii]
Madje Hrushovi, për t’ i treguar Perëndimit se deri ku mund të përhapej kriza, bëri që njëkohësisht me të të gjendej në Shqipëri edhe ministri i Mbrojtjes i Kinës, Mareshali Pin De Hua. Në 27 maj u njoftua se prej 28 majit në 2 qershor do të bënte një vizitë në Shqipëri zëvendëspresidenti i Kinës dhe ministri i Mbrojtjes, Pin De Huai.[xlviii]Kjo vizitë merrte një simbolikë në rrethanat kur bëhej se mareshali Pin De Hua kishte qenë komandanti i forcave kineze që kishin luftuar në Kore kundër amerikanëve. Hoxhës aq i bënte për të gjitha këto rreziqe në të cilat po e çonte Shqipërinë. Ai u mërzit vetëm për kushtin që i vuri Hrushovi në lidhje me qëndrimin ndaj Titos, për të cilin shkruan në ditar, në 19 maj 1959:
Takim me Ivanovin. Më dorëzoi një radiogram të Hrushovit, ku si kusht për vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri, na kërkon që as ai, as ne gjatë fjalimeve publike të mos e prekim fare çështjen e revizionizmit jugosllav. Ja gjer ku paska arritur puna! Kërkon të na mbyllë edhe neve gojën! Kërkova menjëherë ta shtrojmë problemin në Byronë Politike e t’ i japim përgjigje mysafirit që presim të na vijë.
Pasi diskutuam për radiogramin e Hrushovit, vendosëm që ta pranojmë kushtin e tij (të mos flasim për Titon gjatë ditëve të vizitës së tij në Shqipëri). Titon dhe ata që mendojnë e veprojnë si Titoja, le t’ i gënjejë mendja. Por, me të ikur Hrushovi ne do t’ i lëshojmë përsëri bateritë kundër revizionizmit modern.[xlix]
Preokupimi i Hoxhës nuk ishte ideologjik, por kishte të bënte me frikën se se kjo kërkesë e Hrushovit tregonte që në agjendën e këtij të fundit mbetej çështja e largimit të udhëheqësit shqiptar nga pushteti, si fli për pajtimin e ri mes Moskës dhe Beogradit. Kjo bëri që Hoxha, i cili e kishte kërkuar me ngulm prej vitesh vizitën e Hrushovit në Shqipëri, të ngjajë më tepër i shqetësuar se i gëzuar ndaj saj. Megjithatë Hoxha e priti Hrushovin me aq pompë të madhe, sa nuk ishte pritur në Shqipëri asnjë sundimtar i huaj i vendit, gjatë gjithë historisë. Në 20 maj, gazeta kryesore e regjimit, «Zëri i Popullit», doli me titullin e madh në faqen e parë:
NIKITA SERGEJEVIÇ HRUSHOV, miku më i madh dhe i shtrënjtë i popullit tonë, do të vizitojë Shqipërinë[l]
Mbi këtë titull të madh thuhej:
Sihariq i madh për popullin tonë.[li]
Hoxha dhe Shehu, duke mos pritur ardhjen e Hrushovit në Shqipëri për ta falenderuar për vizitën, i çuan paraprakisht një telegram, ku i thoshin:
Populli shqiptar, partia dhe qeveria jonë, Ju falenderojnë nga zemra për këtë nder shumë të madh. Vizita e delegacionit të Partisë Komuniste dhe të Qeverisë së Bashkimit Sovjetik me Ju në krye, do të jetë një ngjarje e shënuar në historinë e popullit tonë, ajo do të jetë një festë e madhe popullore dhe një kontribut shumë i çmuar në çelikosjen e miqësisë së përjetëshme që bashkon popullin shqiptar me mikun dhe çlirimtarin e tij të shtrenjtë- Bashkimin e Madh Sovjetik. Ne jemi plotësisht dakord, i dashuri Nikita Sergejeviç, me propozimin tuaj që Ju të vizitoni vendin tonë më 25 maj deri më 6 qershor dhe, po të jetë e mundur, të qëndroni edhe disa ditë më shumë.[lii]
Ditën e ardhjes së Hrushovit, në 25 maj gazeta “Zëri i Popullit” hapej me titullin e madh, në rusisht dhe shqip:
MIRSE NA VINI MIQ TË DASHUR![liii]
Në gjithë gjerësinë e faqeve 2-3 ishte një titull:
Miqësia me Bashkimin Sovjetik është dielli i jetës sonë.[liv]
Në këtë shkrim bëheshin falsifikime të trasha historike si:
Që pas vdekjes së Skënderbeut, populli shqiptar, në luftën e tij për liri, kërkonte vazhdimisht aleatë dhe miq të sinqertë. Këtë aleat dhe mik populli ynë e gjeti tek populli rus, luftëtar i paepur i armikut të përbashkët- pushtuesve turq.[lv]
Deri edhe mjeku personal i Hoxhës, Fejzi Hoxha, shkruajti atë ditë në gazetën “Zëri i Popullit”:
Lajmi i ardhjes në vendin tonë i delegacionit të Partisë Komuniste dhe qeverisë së Bashkimit Sovjetik, i kryesuar nga shoku Nikita Sergejeviç Hrushov, ishte një sihariq shumë i madh për gjithë popullin tonë. Një gëzim dhe një entusiazëm i paparë ndonjëherë ka rrëmbyer zemrat e gjithë punonjësve të vendit tonë. Me një ndjenjë padurimi presim për të parë mikun tonë më të madh e më të shtrenjtë. Edhe shumë nga të sëmurët e shtruar në spital na luten ne mjekëve të mos i mbajmë në shtrat: duan të ngrihen, të dalin e të presin shokun Hrushov.[lvi]
Në të vërtetë atë ditë i nxorrën me detyrim deri edhe të sëmurët nga spitalet, që të kishte sa më shumë njerëz që prisnin Hrushovin. Hoxha, në 8 shtator 1977 do të shkruante me rastin e vizitave të Titos në Kinë dhe Korenë e Veriut:
Kinezët dhe koreanët e nxorrën popullin si një tufë delesh që blegërinin e kërcenin.[lvii]
Por të njëjtën gjë i detyroi Hoxha shqiptarët që të bëjnë kur erdhi Hrushovi. Nexhmije Hoxha kujton për vizitën e Hrushovit në Shqipëri:
Ne e pritëm si mik, me nderime, madje dhe të tepruara, deri në absurditet e serviliziëm të neveritshëm, siç bëri Liri Belishova, që drejtonte Komisionin e pritjes, e cila ia shtroi Nikitës rrugën në aerodrom deri tek avioni jo me qilim të kuq, por... me petale trëndafilash të kuq![lviii]
Belishova nuk mund ta bënte këtë gjë pa lejen e Hoxhës, madje ideja duhet të ketë qenë e këtij të fundit, se të gjitha detajet e pritjes së Hrushovit sigurisht që i përcaktoi Hoxha. Hrushovi jo vetëm shkeli mbi petale trëndafilash, kur zbriti në aeroport, por ai u mbulua me retorikë-«petale trëndafilash» nga Hoxha i cili në fjalimin e mirëseardhjes, mbajtur në aeroport, tha:
Vizita e delegacionit të Partisë Komuniste dhe të Qeverisë së Bashkimit Sovjetik në Shqipëri, të kryesuar nga Ju shumë i shtrënjti Nikita Sergejeviç Hrushov, është një nder shumë i madh që i bëhet popullit shqiptar, partisë dhe qeverisë sonë; ajo mbush me gëzim dhe enthusiazëm të papërshkrueshëm zëmrat e mbarë popullit tonë, ajo është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, një dëshmi e shkëlqyer e miqësisë së madhe dhe e marrëdhënieve të përzëmërta vëllazërore që bashkojnë popujt, partitë dhe qeveritë tona. Populli shqiptar që është sot në kulmin e gëzimit Ju pret me krahë hapët.[lix]
Hrushovi, nga ana e tij, do të thoshte në fjalimin e vet në aeroport:
nga një shtojcë gjysëm koloniale e fuqive të mëdha imperialiste, Shqipëria demokratike popullore brenda një afati të shkurtër u kthye në një shtet me të vërtetë të pavarur, i cili ecën i sigurt përpara në zhvillimin e tij socialist. U realizua ëndrra e shenjtë për liri e shumë brezave të patriotëve shqiptarë, të cilët pa kursyer jetën e tyre kanë derdhur gjakun për lumturinë dhe pavarësinë e atdheut.[lx]
Shqipëria tash ishte shndërruar në një shtojcë koloniale të perandorisë sovjetike, ku ishte dislokuar dhe ushtria sovjetike. Hoxha nuk do të pushonte së hedhuri «petale trëndafilash» ndaj Hrushovit gjatë gjithë vizitës së këtij të fundit. Të nesërmen e ardhjes së Hrushovit, kur të dy vizituan kombinatin e tekstileve në Tiranë, Hoxha tha:
Kurrën e kurrës s’ ka për ta harruar shqiptari se në truallin e tij, në shtëpinë e tij, i ka ardhur si mysafir udhëheqësi i madh i Partisë Komuniste dhe shtetit sovjetik.[lxi]
Kjo ishte e vërtetë, në një sens tjetër nga ai në të cilin fliste Hoxha. Shqiptarët nuk do ta harronin kurrë se Hoxha solli në Shqipër kreun e vendit që historikisht kishte mbështetur armiqtë historikë të nacionit (kombit) shqiptar.
Çështja e dislokimit të raketave amerikane në Itali dhe në Greqi do të ishte çështja kryesore në fjalimet që Hrushovi mbajti gjatë vizitës në Shqipëri. Në 25 maj, ditën e vizitës së Hrushovit në Shqipëri, qeveria sovjetike u çoi një notë qeverive të Shqipërisë, Bullgarisë, Rumanisë, Jugosllavisë, Greqisë, Turqisë, Italisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe SHBA ku kërkohej që Ballkani dhe Adriatiku të shndërroheshin në një zonë pa armë bërthamore dhe pa raketa të çdo lloji. Kjo ishte e llogaritur të shërbente si background për të fjalimet e Hrushovit në Shqipëri mbi temën e raketave. Në fjalimin që Hrushovi mbajti të nesërmen e ardhjes së tij në Shqipëri, në kombinatin e tekstileve në Tiranë, në 26 maj, tha:
Para pak kohe Qeveria Italiane, në kundërshtim me vullnetin e popullit italian, dha pëlqimin e saj që të krijohen në teritorin e Italisë baza amerikane për lëshimin e raketave. Tani SHBA po zhvillojnë bisedime me qeverinë e Greqisë për të krijuar baza të tilla edhe në teritorin e saj. Është e qartë se këto baza drejtohen kundër Bashkimit Sovjetik, kundër Shqipërisë dhe vendeve të tjera socialiste. Qeveria sovjetike ka tërhequr vëmendjen e qeverive të Italisë dhe të Greqisë se një politikë e tillë sjell me vete pasoja të rrezikëshme, ajo kërcënon sigurimin e popujve Ne propozojmë që gadishulli Ballkanik të bëhet gadishulli i paqes, në mënyrë që këtu të mos ketë as raketa, as armë atomike. Kjo do të ishte e dobishme si për popullin grek, ashtu edhe për popullin italian dhe përgjithësisht për gjithë popujt që banojnë në gadishullin Ballkanik dhe në pellgun e detit Mesdhe.[lxii]
Më tutje, Hrushov kërcënoi:
Në qoftë se qeveritë e Italisë dhe të Greqisë i lejojnë amerikanët të krijojnë baza për lëshimin e raketave në teritorin e tyre, atëherë ndoshta edhe ne do të detyrohemi të merremi vesh me qeverinë e Republikës Popullore të Shqipërisë që të krijohet edhe këtu diçka kundër tyre. Amerikanët po vendosin në Itali raketa me rreze të mesme veprimi. Por në qoftë se në Shqipëri vendosen raketa me rreze të mesme veprimi, ose bile edhe raketa me rreze të shkurtër veprimi, ato mund të arrijnë në gjithë Italinë. Kështu që këtu do të mjaftonin raketat me rreze të shkurtër veprimi. A flas drejt shoku Malinovski? (Ministri i Mbrojtjes Bashkimit Sovjetik, Mareshalli Malinovski-K.M.)
MALINOVSKI: Shumë drejt.[lxiii]
Pas Italisë Hrushov paralajmëroi edhe Greqinë:
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Greqinë. Populli grek është një popull shumë i mirë. Populli sovjetik don të jetojë në miqësi me të. Dikur rusët kanë derdhur gjak për çlirimin e Greqisë nga zgjedha turke. Tani qeveria e Greqisë don ta verë teritorin e saj në dispozicion për krijimin e bazave amerikane për lëshimin e raketave. Kundër këtyre bazave do të gjejmë edhe ne baza. Kush do të pësojë nga kjo? Në radhë të parë popullsia e Greqisë. Faktet tregojnë se qeveria e Greqisë nuk e kupton se është në interes të Greqisë, se është në interes të popullit grek, ashtu siç është edhe në interes të paqes, që të mos lejojë të krijohen baza të huaja për lëshimin e raketave në teritorin e Greqisë. Por në qoftë se siç thuhet, dreqi e gabon Qeverinë Greke dhe ajo do të marrë një vendim të paarsyeshëm dhe do t’ i lejojë amerikanët që të kenë baza për lëshimin e raketave në teritorin e saj, në këtë mënyrë ajo do të na detyrojë t’ i shtojmë forcat tona për t’ i dhënë përgjigjen e duhur. Se ku do të vendosen objektet tona për lëshimin e raketave- a do të vendosen këtu në teritorin e Shqipërisë, apo raketat do të goditin bazat e raketave të Greqisë nga Bullgaria, apo ngandonjë vend tjetër, për këtë do të flasim dhe do të merremi vesh midis nesh.[lxiv]
Në 30 maj Hoxha dhe Hrushov do të flisnin në një miting në sheshin qendror të Tiranës. Hoxha, duke folur nga ballkoni i ndërtesës së komitetit ekzekutiv të Tiranës, i ndërtuar nga Italia fashiste, do të thoshte:
Miqësia me Bashkimin Sovjetik ngroh si diell i fuqishëm jetën e popullit shqiptar dhe të Republikës së tij Popullore.[lxv]
Më tutje, Hoxha, do të përshkruante «diellin» kështu:
Plani 7-vjeçar do të bëjë të mundur që, brenda pak vjetëve, Bashkimi Sovjetik t’ ia kalojë në prodhimin për frymë të popullsisë vendit kapitalist më të zhvilluar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai do të sigurojë dhe do të shpejtojë fitoren përfundimtare të sistemit socialist në garën ekonomike me sistemin kapitalist. Realizimi i tij do të rritë fuqinë e gjithanëshme të Bashkimit Sovjetik dhe të të gjithë kampit socialist në një shkallë të atillë sa që do të krijohen mundësi reale për shmangien e luftës nga jeta e shoqërisë njerëzore.[lxvi]
Hoxha duhej ta kuptonte se nëse ia kalonte për frymë, ia kalonte dhe në tërësi, se Bashkimi Sovjetik kishte më shumë banorë se SHBA. Pastaj Hoxha u shpreh për çështjen e instalimit të raketave bërthamore amerikane në vendet fqinje:
Por, sikundër e dini, me gjithë paralajmërimet e Qeverisë Sovjetike të qeverisë sonë, si dhe të një numri vendesh të tjera paqedashëse, kohët e fundit Qeveria Italiane pranoi që në tokën e Italisë të vendosen baza amerikane për armë atomike dhe raketa. Qëllime të njëjta ndjekin edhe qarqet drejtuese të Greqisë. Është e kuptueshme se krijimi i këtyre bazave nuk u shërben veçse qarqeve drejtuese luftënxitëse të imperializmit amerikan dhe drejtohen kundër Bashkimit Sovjetik, kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, si dhe kundër vendeve të tjera socialiste. Krijimi i këtyre bazave agresive acaron gjendjen në zonën e Ballkanit e të Adriatikut dhe përbën një kërcënim direkt kundër sigurimit, sovranitetit dhe tërësisë tokësore të vendit tonë. Përpara kësaj gjendjeje ne nuk mund të rimë duarkryq. Ne deklarojmë botërisht se në rast se edhe Greqia do të ndjekë po këtë rrugë të rezikëshme, kjo do ta detyrojë qeverinë e Bashkimit Sovjetik dhe qeverinë tonë të merren vesh midis tyre për të vendosur në vendin tonë baza për lëshimin e raketave të drejtuara kundër Italisë dhe Greqisë, me qëllim që të mbrojmë lirinë dhe pavarësinë e atdheut e të popullit tonë, si dhe paprekshmërinë e kampit tonë socialist.[lxvii]
E vërteta ishte se raketat bërthamore amerikane e kërcënonin Shqipërinë për shkak se në vend ishte ndërtuar një bazë ushtarake sovjetike, përgjegjësia ishte e Hoxhës. 30 maji 1959 u bë kështu një ditë historike për Hoxhën si kolaboracionist të pushtimit ushtarak sovjetik të Shqipërisë. Në këtë ditë, Hoxha deklaroi botërisht vullnetin për ta bërë Shqipërinë bazë të armëve bërthamore sovjetike. Edhe në mitingun e 30 majit Hrushovi përsëriti se dislokimi i raketave bërthamore amerikane në Itali dhe Greqi:
do ta detyrojë qeverinë e Bashkimit Sovjetik dhe qeverinë e Shqipërisë të merren vesh për të vendosur në tokën e Shqipërisë baza për lëshimin e raketave të detyruara kundër Italisë dhe Greqisë.[lxviii]
Në të vërtetë, as Hrushovi dhe as Hoxha nuk tregoheshin të sinqertë kur thoshin se donin një Ballkan pa armë bërthamore se Hoxha në kujtimet e veta rrëfen për takimin me Hrushovin në dhjetor 1956, në Moskë:
Ndërsa gostia vazhdonte «tullaci» na tha se Shqipëria është një vend i vogël por ka një pozitë të rëndësishme strategjike. «Po të ndërtojmë atje një bazë nëndetësesh dhe raketash, mund të kontrollojmë gjithë Mesdheun».[lxix]
Në 30 maj 1959 u bë një Deklarata e përbashkët shqiptaro-sovjetike, e nënshkruar nga Hrushov, Hoxha dhe Shehu, në të cilën u shpreh në mënyrë krejt formale qëndrimi i dy vendeve për çështjet e shprehura në fjalimet e udhëheqësve të tyre gjatë vizitës. Por, ra në sy se në deklaratë termat qenë zbutur dhe nuk bëhej fjalë drejtpërdrejt instalimin e raketave sovjetike në Shqipëri, kur paralajmëroheshin Italia dhe Greqia. Në Deklaratën e përbashkët Greqisë i adresohej ky paralajmërim:
Të dy delegacionet deklarojnë se synimet e qarqeve drejtuese të Greqisë për të vendosur në tokën greke baza amerikane atomike dhe raketash mund të shkaktojnë një keqësim të theksuar të gjëndjes në Ballkan, gjë që nuk u intereson as popullit grek, as popujve të vendeve fqinj. Qeveritë e Shqipërisë dhe të BRSS, të shqetësuara për fatet e popujve të tyre, natyrisht nuk mund të mos i venë re këto veprime të qeverisë greke.[lxx]
Zbutja e termave në deklaratë, sigurisht që ishte bërë nga sovjetikët dhe jo nga Hoxha, i cili, si Taras-Herman që ishte, ishte shprehur në terma më të ashpra se Hrushovi. E njëjta zbutje termash ishte bërë edhe në adresë të Italisë, paralajmërimi për të cilën ishte shprehur kështu në deklaratë:
Të dy delegacionet konstatuan me keqardhje se qeveria italiane nuk ua vuri veshin paralajmërimeve të bëra nga ana e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe e Bashkimit Sovjetik në lidhje me krijimin e bazave amerikane atomike dhe të raketave në tokën e Italisë. Qeveritë e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe të Bashkimit Sovjetik nuk mund të qëndrojnë indiferente ndaj rrezikut që është krijuar në lidhje me vendimin e qeverisë italiane për vendosjen e bazave atomike dhe të raketave në Itali.[lxxi]
Hrushovi i moderoi termat për shkak se ndërkohë ai i kishte marrë reagimet që kishin shkaktuar në Perëndim fjalët e tij të thëna ato ditë për dislokimin e raketave sovjetike në Shqipëri. Hrushovi kishte frikë se mos ndodhte një sulm preventiv ndaj Shqipërisë nga Greqia dhe Italia, për të evituar rrezikun që atyre do t’ u vinte nga shndërrimi i Shqipërisë në një bazë bërthamore sovjetike të drejtuar kundër tyre. Derisa forcat ushtarake sovjetike nuk gjendeshin zyrtarisht në Shqipëri, por të kamufluara si shqiptare, prania e tyre nuk mund të shërbente si frenues i invazionit. Fakti që Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës, nuk mund të ishte një frenues i mjaftueshëm në rastin perspektivës së dislokimit të raketave sovjetike. Shqipëria ishte e ndarë gjeografikisht nga vendet e tjera të Traktatit të Varshavës, kështu që ushtria sovjetike nuk mund t’ i vinte në ndihmë përveçse në rrugë detare dhe Bashkimi Sovjetik nuk i zotëronte luftanijet e nevojshme për të ndërmarrë një ekspeditë detare të këtyre përmasave. Madje edhe sikur të provonte ta bënte me siguri që flota sovjetike do të ndalej në Dardanele dhe në Gjibraltar nga amerikanët, duke mos iu lejuar të shkonte në Shqipëri. Deklarata e përbashkët shqiptaro-sovjetike u shndërrua kështu në një tregues të dobësisë së pozitës sovjetike në Shqipëri. Kjo gjë binte edhe më tepër në sy, kur në deklaratën që bëhej dy ditë pas skadimit të ultimatumit të Hrushovit për Berlinin thuhej për këtë çështje:
Në kushtet e tanishme çështjet më të rëndësishme që kërkojnë zgjidhje pa vonesë, janë përfundimi i Traktatit të Paqes me Gjermaninë dhe likuidimi i regjimit të pushtimit në Berlinin Perëndimor… Të dy delegacionet janë të mendimit se rruga më reale për zgjidhjen e çështjes së Berlinit është t’ i jepet Berlinit Perëndimor statusi i qytetit të lirë e të çmilitarizuar. Likuidimi i regjimit të pushtimit në Berlinin Perëndimor do të bënte që ky qytet të kthehej nga një vatër konfliktesh të rrezikshme në një qytet të paqes dhe të qetësisë.[lxxii]
Kjo ishte retorika e kohës para ultimatumit të nëntorit të vitit të kaluar. Deklarata shqiptaro-sovjetike do të ishte kështu dokumenti i parë ku u shpreh seriozisht dobësia dhe pasiguria e Hrushovit në raport me Perëndimin, dhe nuk është gjë e rastit që kjo u bë në Tiranë. Nëse Hrushovi, në deklaratën e përbashkët zbuti ndjeshëm termat e kërcënimeve të tij ndaj Perëndimit, Hoxha fuqizoi termat e hymneve ndaj Hrushovit, duke u thënë në deklaratë:
Përfaqësuesit e PPSH janë të mendimit që vendimet e Kongresit XXI të PK të BS kanë rëndësi shumë të madhe për Partinë e Punës të Shqipërisë dhe për gjithë popullin shqiptar. Ndërtimi i komunizmit në BRSS do të kontribuojë për ndërtimin më të shpejtë të socializmit edhe në Republikën Popullore të Shqipërisë. Partia e Punës e Shqipërisë, e frymëzuar nga idetë e Kongresit XXI të PK të BS, ka caktuar detyra konkrete për ndërtimin e socializmit në Shqipëri.[lxxiii]
Po në 30 maj Hrushovi u bë qytetar nderi i Tiranës dhe me këtë rast në Parkun “Rinia”, në qendër të qytetit, ai, Hoxha dhe Shehu, mbollën bashkërisht dy pemë, në një ceremoni të cilën gazeta «Zëri i Popullit» e përshkruan kështu:
Në mes të gjelbërimit të parkut gjendeshin dy rrënjë pemë- një rrap dhe një arrë. Këtu qytetari i nderit të qytetit të Tiranës dhe dy deputetët e kryeqytetit, udhëheqësit e partisë dhe të shtetit tonë, me lopata në duar, mbuallën këto pemë të miqësisë midis një entusiazmi të papërshkrueshëm të mijëra vetave që ishin atje. Do të kalojnë vite e vite e Shqipëria, ashtu siç ka thënë shoku Hrushov, do të bëhet një kopësht i lulëzuar, do të ndërtojë socializmin dhe komunizmin dhe qytetarët e Tiranës do të vijnë të pushojnë nën hijen e freskët të këtyre pemëve të miqësisë.[lxxiv]
Pemët që u mbollën, sikur qenë zgjedhur për të shprehur simbolikisht marrëdhënien ambigue të Hrushovit me Hoxhën. Arra është një pemë me frute të çmuara, e cila simbolizonte rëndësinë që Bashkimi Sovjetik kishte për regjimin e Hoxhës, si dhe rëndësinë që Shqipëria kishte për Bashkimin Sovjetik. Por rrapi është një pemë alergjente, duke simbolizuar kështu alergjinë politike që Hrushovi dhe Hoxha kishin nga njëri-tjetri. Sipas të gjitha gjasave, Hrushovi, gjatë vizitës në Shqipëri u kërkoi hapur Hoxhës dhe Shehun që të lëshonin postet që mbanin, pasi ata të dy i përkisnin një kohe tjetër. Hrushovi u dha atyre garanci se nuk do të kishin pasoja me largimin nga posti. Që largimi i tyre nga pushteti të mos dukej si shkarkim, Hrushovi u sugjeroi që në kongresin e ardhshëm të partisë, ata të dy të bënin të ditur se nuk dëshironin të qëndronin më në postet që mbanin dhe në Byronë Politike. Sipas statutit të ri të partisë, të miratuar në 1956, kongresi mbahej jo më vonë se një herë në katër vjet[lxxv], çka do të thoshte se kongresi i radhës, ai i katërt, duhet të mbahej jo më vonë se fundi i majit i vitit të ardhshëm, 1960. Kjo i konvenonte Hrushovit se kështu kishte një interval jo të shkurtër mes vizitës së tij në Shqipëri dhe largimit të dy udhëheqësve kryesorë shqiptarë nga pushteti, çka bënte që të zhdukej disi përshtypja se udhëheqësit shqiptarë qenë ndërruar nën presionin e Moskës, çka Hrushovi nuk e donte për shkak të ndjeshmërisë së tij të veçantë ndaj Shqipërisë të cilën e shikonte si vend musliman. Kur Hrushovi erdhi vizitë në Tiranë ai, duke i prezantuar udhëheqësit shqiptarë në aeroport një anëtari të delegacionit sovjetik i cili ishte nga një prej republikave muslimane sovjetike, i tha atij me humor:
«Ja, shoku Hoxha, shoku Shehu, shoku Myftiu (Manush Myftiu, zëvendëskryeministri- K. M.), shoku Dervishi (Rrapo Dervishi, sekretari i parë për Tiranën- K. M.), të kam sjellë në mjedisin tënd, prandaj shko merr abdes dhe zgjidh tek cili do të falesh se këtu i ke të gjithë të fesë tënde».
Kur Hrushovi u kërkoi të largoheshin nga pushteti, Hoxha dhe Shehu, duke mos parë alternativë, u detyruan t’ i thoshin Hrushovit se do të bënin ashtu siç kërkonte ai. Derisa ata nuk kishin me çfarë ta paguanin më qëndrimin e tyre në pushtet, derisa kishin firmuar gjithçka u duhej sovjetikëve që Shqipëria të bëhej koloni e tyre, tash nuk mbetej gjë tjetër përveçse që ata të dy të largoheshin nga pushteti, si kolaboracionistë të flakur tej, duke lënë pas një Shqipëri të shndërruar në një koloni ruse dhe nën pushtimin ushtarak rus. Kur në 30 maj, në ish-pallatin mbretëror, rezidencën e perandorit Italian Victor Emanuel III në mbretërinë e tij shqiptare, tashmë të njohur si Pallati i Brigadave, u dha një pritje për nder të Hrushovit, pikërisht në të njëjtën sallë ku u dha pritja për nder të perandorit Italian gjatë vizitës së këtij të fundit në Shqipëri, 18 muaj më parë, kjo kishte një simbolikë kuptimplotë. Të nesërmen e ditës kur u dha kjo pritje, në 31 maj, Hoxha dhe Hrushovi do të qenë në Vlorë, ku Hoxha do të thoshte në fjalimin e vet për kohën e pushtimit italian:
Në ditët e para të vështira të okupacionit rapsodi këndonte:
Ti Adriatiku mjerë,
Pse s’ bën valë këtë herë,
Valë, dallgë dhe furtunë?
Se ty Vlorën ta zunë,
Sazan dhe Karaburunë.
Dhe popull zjarr për zjarr i përgjigjej:
Vlora dhe Karaburuni
Janë vatanet e mija,
S’ na i merr dot Italia.
Me armë është çu Shqipëria,
Për to lufton me trimëri Partia…[lxxvi]
Këngës fare mirë mund t’ i shtoheshin tre vargje:
Që t’ i marrë Jugosllavia,
e po i braktisi Tito mavria,
le t’ i gëzojë Rusia.
Partia komuniste dhe Hoxha luftuan, për aq sa luftuan që Vlorën dhe Karaburunin t’ i lëshonte Italia dhe t’ i merrte Jugosllavia e Rusia! Por edhe Rusia, ashtu si Jugosllavia, për shkak të koniukturave gjeopolitike, dukej se nuk mund t’ i lejonte vetes gjatë ta kishte Vlorën dhe Shqipërinë në përgjithësi si bazë ushtarake. Shënjat të cilat qenë dhënë për këtë që në deklaratën e përbashkët shqiptaro-sovjetike të 30 majit të atij viti, u bënë më të qarta në muajt në vazhdim. Në nëntor 1959 Greqia njoftoi se në vend do të vendosej skuadrilja e parë e raketave bërthamore amerikane. Me këtë rast Hoxha kërkoi udhëzime dhe në Moskë, ambasadori shqiptar Nesti Nase u takua me zëvendësministrin e jashtëm sovjetik, Firjubin, i cili i bëri të ditur se qeveria sovjetike nuk kishte vendosur ende të ndërmerrte veprimet e paralajmëruara. Firjubin shtoi se kjo çështje ishte delikate dhe duhej menduar mirë.[lxxvii]
Hoxha e kuptoi se shantazhi atomic që Hrushovi kishte bërë gjatë vizitës në Shqipëri kishte qenë një bluff. Hrushovi thjesht kishte dashur të shkallëzonte kundërshtimin e brendshëm në Itali e Greqi ndaj dislokimit të raketave amerikane, dhe kur nuk e arriti këtë, u tërhoq. Ishte simptomatike që Hrushovi nuk guxonte që për të testuar edhe më tepër opinionin e këtyre vendeve të vendoste raketa bërthamore në Shqipëri, dhe pastaj të ofronte alternativën e tërheqjes reciproke, siç do të bënte tre vjet më pas në Kubë. Hoxha, nën dritën e bluff-it të Hrushovit me raketat, rishqyrtoi në retrospektivë disa gjëra që kishte thënë Hrushovi në fjalimet e tij gjatë vizitës në Shqipëri, siç ishte ajo kur tha në 26 maj, në fjalimin në kombinatin e tekstileve në Tiranë:
Shokë, duke përfituar nga ky fjalim, unë do të doja t’ i shprehja ngushëllimet e mija të sinqerta qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e vdekjes së z. Dalles, i cili për shumë vjet ka qenë në postin e sekretarit të shtetit të SHBA. Disa mund të thonë: Po a pajtohen këto ngushëllime me fjalimet që unë kam mbajtur herë pas here kundër Dallesit dhe politikës së ndjekur prej tij? Po, pajtohen. Ne kemi qenë kundërshtarë të Dallesit në çështjet themelore, parimore. Dallesi zbatonte politikën e tij. Kush ndjek me vëmendje politikën ndërkombëtare, nuk e ka vështirë të vërë re se midis politikës së jashtme që ndiqte Dallesi, menjëherë pasi ai zuri postin e sekretarit të shtetit të SHBA, dhe politikës së tij të kohëve të fundit, kishte një ndryshim esencial.
Kur Anastas Ivanoviç Mikojani ishte në SHBA, ai bisedoi me z. Dalles. Nga ky bisedim mund të kuptohej se Dallesi hiqte dorë nga lufta kundër komunizmit në vendet e Evropës Lindore. Kjo sigurisht nuk do të thotë se Dallesi e njohu doktrinën komuniste dhe pushoi luftën ideologjike kundër saj. Është e qartë se kjo deklaratë duhet të merret në kuptimin se Dallesi hiqte dorë nga metodat e mëparshme, kur nuk përfillej vullneti i popujve të vendeve të Evropës Lindore, kur disa qarqe të caktuara në SHBA mundoheshin me kryeneçësi të rilindnin rendet e vjetra, që u kishte kaluar koha në këto vende, orvateshin që me anën e së ashtuquajturës «politikë e forcës», t’ i kthenin këto vende në të kaluarën kapitaliste. Dallesi, me sa duket e kuptoi më në fund se sa e pathemeltë ishte kjo politikë. Nuk mund të mos çmohet ky pohim i z. Dalles. Për të bërë një deklaratë të tillë duhet të kishe kurajo.[lxxviii]
Duke u lexuar me kujdes kjo deklaratë e Hrushovi kuptohet se këtu ai e ofroi Shqipërinë në bargaining counter gjeopolitik, domethënë ofroi tërheqjen e Bashkimit Sovjetik nga Shqipëria, me kusht që në Shqipëri të mos ndryshohej regjimi dhe të mbetej i llojit sovjetik. Ardhja dhe stacionimi i luftanijeve sovjetike në Shqipëri, posaçërisht e nëndetëseve, sigurisht që u mësua nga amerikanët se ato kaluan nën hundën e amerikanëve për të ardhur në Shqipëri. Tashmë amerikanët e kishin të qartë se në Shqipëri kishte një bazë ushtarake sovjetike, pavarësisht se si qenë veshur ushtarët sovjetikë të cilët gjendeshin në Shqipëri. Kjo sigurisht çoi në një reagim të fortë të Washington-it, në kanale konfidenciale, ndaj Moskës, në mënyrë që baza ushtarake sovjetike të largohej nga Shqipëria, në respekt të Marrëveshjes së Yalta.
Afera e raketave bërthamore që Hrushovi paralajmëroi të vendoste në Shqipëri, e bëri edhe më të fortë reagimin amerikan, duke e krijuar perspektivën e një ndëshkimi të Shqipërisë nga vendet fqinje. Kjo për faktin se, derisa vendosja e raketave bërthamore amerikane në Itali dhe Greqi, ishte në pajtim me Marrëveshjen e Yalta, se ato vende i përkisnin sferës së influencës së SHBA, vendosja e raketave sovjetike në Shqipëri do të thoshte shtrirje e pranisë ushtarake bërthamore sovjetike, në një vend përtej sferës sovjetike të influencës në Europë. Prandaj vendet fqinje kishin të drejtë të ndërmerrnin veprime preventive ndaj Shqipërisë, ndërsa Bashkimi Sovjetik nuk kishte të drejtë të ndërhynte në mbrojtje të Shqipërisë, përveçse nëse merrte parasysh përballjen me SHBA.
Hrushovi sigurisht që i parashikonte pak a shumë të gjitha këto gjëra kur erdhi në Shqipëri për të bërë shantazh atomik. Por ai thjesht donte që të rriste vlerën e kartës shqiptare në lojën gjeopolitike me SHBA, e cila në atë kohë ishte përqëndruar në Berlin. Hrushovi donte ta ofronte Shqipërinë në këmbim të Berlinit, domethënë ofronte tërheqjen sovjetike nga Shqipëria, në këmbim të pranimit nga ana e SHBA-ve që sovjetikët të ndërtonin një mur në Berlin, çka binte në kundërshtim me statusin e qytetit të përcaktuar nga marrëveshja e katër fuqive okupuese. Ndërtimi i murit ishte e vetmja mënyrë që Hrushovi të shpëtonte satelitin sovjetik, Gjermaninë Lindore nga shpërbërja drejt së cilës po shkonte për shkak të largimit masiv të popullsisë së saj në Gjermaninë Perëndimore nëpërmjet Berlinit. Që gjërat ishin kështu kuptohet nga fakti se ndërtimi i Murit të Berlinit filloi në gusht 1961, dy muaj pasi flota sovjetike u tërhoq nga Shqipëria, si dhe nga fakti që katër muaj pas fillimit të ndërtimit të murit në Berlin, Bashkimi Sovjetik ndërpreu marrëdhëniet me Shqipërinë.
Hoxha, i cili më pas do ta qortonte Hrushovin dhe udhëheqësit e tjerë sovjetikë se iu nënshtruan shantazhit bërthamor të imperializmit amerikan, nuk përdori kurrë si argument për këtë gjë faktin që Hrushovi nuk e mbajti fjalën që tha në Shqipëri, në maj 1959 se Bashkimi Sovjetik do të sillte raketa bërthamore në Shqipëri nëse dislokoheshin raketat bërthamore amerikane në vendet fqinje me Shqipërinë, Itali dhe Greqi. Në 28 tetor 1962, në kohën e krizës së raketave në Kubë, Hoxha shkruante në ditar.
Hrushovi tradhtoi rëndë. Me kapitullimin e turpshëm në ngjarjet e Kubës, ai forcoi pozitat luftënxitëse të Kenedit, forcoi pozitat e reaksionit botëror, të reaksionit në kontinentin amerikan. Hrushovi do të bëjë lëshime akoma më të tmerrshme. Tradhtari është nën darën e imperializmit. Sa drejt tingëllojnë tash e kurdoherë qëndrimet e larta parimore të Partisë sonë. Të gjithë në botë sot, me siguri, na kujtojnë dhe na japin hakë, veç revizionistëve tradhtarë dhe imperialistëve.[lxxix]
Sipas Hoxhës, del se të gjithë në botë donin luftë bërthamore. Në 11 nëntor 1962 Hoxha do të shkruante në ditar:
Anijet sovjetike po kontrollohen në det të hapët nga anijet e luftës amerikane. Piratët po kontrollojnë anijet sovjetike! Ç’ tradhti e madhe! Ç’ turp! Të vjen të qarët! Poshtë Nikita tradhtari! Ai e meriton litarin në grykë të cilin do t’ ia hedhim.[lxxx]
Por vetë Hoxha, gjatë asaj që mund të quhet si kriza shqiptare e raketave, e vitit 1959, nuk u soll aspak si Fidel Kastro gjatë krizës të raketave në Kubë, në 1962. Fidel Kastro nuk paralajmëroi dislokimin e raketave bërthamore, por pranoi propozimin sovjetik që kjo gjë të bëhet fshehtas, dhe u indinjua kur sovjetikët i tërhoqën ato pas ultimatumit amerikan, duke protestuar fort në Moskë. Hoxha veproi ndryshe, ai e paralajmëroi dislokimin e raketave në mënyrë ultimative, dhe kur ultimatumi i tij dhe Hrushovit nuk u mor parasysh, Hoxha heshti njëlloj si Hrushovi, dhe nuk protestoi ndaj këtij të fundit. Komandanti nuk u mërzit pse nuk i erdhi «mauzeri» bërthamor. Në 1959 Hoxha ishte karikatura e Fidel Kastros në krizën shqiptare të raketave. Në atë kohë nën zë qarkullonte kjo anekdotë:
-More ku i ka Enveri raketat që i mbetën në gojë, ia dha apo nuk ia dha Hrushovi?
-Enveri donte vetëm një raketë në bythë, se vetëm raketë nuk kishte provuar bytha e tij, kështu që Hrushovi ia rrasi një dhe Enveri e mbylli gojën.
Hoxha, pasi përcolli Hrushovin nga Shqipëria, do të nisej me pushime të zgjatura në vendet komuniste. Ai shkruan në ditar në 9 korrik 1959:
U nisëm për në Pragë për pushime me Nexhmijen e fëmijët me aeroplanin TU-104 që kishin dërguar çekët.[lxxxi]
Në 8 gusht Hoxha shkruan në ditar:
Sot u larguam nga Çekosllovakia për në Bullgari.[lxxxii]
Në 10 shtator 1959 Hoxha shkruan në ditar:
U nisëm nga Sofja për në Budapest ku qëndrojmë një natë.[lxxxiii]
Të nesërmen, në 11 shtator 1959 ai shkruan në ditar:
U kthyem në Tiranë pas pushimeve që bëmë në Çekosllovaki dhe në Bullgari.[lxxxiv]
Hoxha kishte qenë dy muaj me pushime jashtë vendit!
4.
Fillimi i lojës së madhe: Tarasi-Herman gjen kartën e re të kombinacionit magjik, atë kineze
Loja e madhe politike ndërkombëtare për Hoxhën, filloi me një episod domethënës, gjatë një vizite në Moskë, në fillim të vitit 1960, për të cilën Hoxha shkruan në kujtimet:
Në shkurt të atij viti Mehmeti dhe unë vajtëm në Moskë për një konsultë të përfaqësuesve të partive të vendeve socialiste për zhvillimin e bujqësisë si dhe për një mbledhje të Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës. Sapo mbërritëm në aeroportin e Moskës m’ u prezantua një funksionar i Komitetit Qendror të partisë sovjetike.
-Jam dërguar nga shoku Mikojan- më tha- i cili kërkon të takohet me ju personalisht për një çështje shumë të rëndësishme.
-Mua m’ u duk e çuditshme kjo urgjencë, sepse Mikojani mund të takohej edhe më pas me mua. Ne do të qëndronim disa ditë në Moskë. Megjithatë i thashë:
-Dakord. Por do të marr me vete edhe shokun Mehmet.
-Më kanë thënë vetëm për ju- m’ u përgjigj çinovniku i Mikojanit, por unë përsërita:
-Jo. Do të vij bashkë me shokun Mehmet.[lxxxv]
Hoxha dyshonte se sovjetikët donin të krijonin përçarje mes tij dhe Shehut, duke ngjallur dyshime tek ky i fundit, se Hoxha po luante poshtë tavolinës në dëm të Shehut. Hoxha dhe Shehu, pasi Hrushovi u përcaktoi terminin e vdekjes politike në kongresin e ardhshëm të partisë, bënë një pakt se tashmë çdo gjë do ta përballonin së bashku dhe nuk do të kishin sekrete ndaj njëri tjetrit. Hoxha qe i vendosur ta respektonte këtë pakt se kishte frikë mos sovjetikët e përdornin Shehun kundër tij. Prandaj Hoxha insistoi që të shkonte në takim së bashku me Shehun. Është interesante se Hoxha, i cili në librin me kujtime «Hrushovianët», të botuar në 1980, vizitën në Moskë dhe takimin me Mikoyan-in e vendos në shkurt, në ditarin e vet, të botuar pas vdekjes, në 1987, arritjen në Moskë e vendos në 30 janar, dhe takimin me Mikoyan, të nesërmen, në 31 janar. Hoxha shkruan në ditar në 30 janar 1960:
U nisëm si delegacion i Partisë së Punës të Shqipërisë për në Moskë me TU- 104, për të marrë pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve socialiste të Evropës për çështjen e zhvillimit të bujqësisë. Gjatë rrugës ndaluam në Budapest për një orë. Në aerodromin e Moskës na priti Muhtidinovi. Pastaj na çuan si zakonisht në Zareçie.
Sapo arritëm, një funksionar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik më lajmëroi se se nesër Mikojani dëshiron të ketë një takim personal me mua. Iu përgjigja sovjetikut se jam gati të vij në takimin që më kërkohet, por jo vetëm.[lxxxvi]
Libri «Hrushovianët» është shkruar mbi bazën e ditarit, kështu që «lapsusi» nuk është tek ditari, por tek libri «Hrushovianët». Hoxhës në 1980 i konvenonte që takimi me Mikoyan-in në Moskë të qe bërë në shkurt dhe jo në janar, për arsye që të zbulohen nga përmbajtja e bisedës që ai pati me Mikoyan. Në takimin me Mikoyan, Hoxha mësoi se nuk bëhej fjalë për ndonjë skenar intrige politike në udhëheqjen shqiptare, por për një intrigë në komunizmin ndërkombëtar. Hoxha shkruan në kujtimet:
Të nesërmen shkuam dhe takuam Mikojanin në vilën e tij në Leninskie Gori. Pas përshëndetjeve të rastit, Anastasi hyri direkt në temën e bisedimit.
-Unë do t’ ju vë në dijeni për mosmarrëveshjet që kemi me Partinë Komuniste të Kinës. Këto gjëra ne kishim vendosur t’ ua thoshim vetëm sekretarëve të parë të partive motra. Prandaj i lutem shokut Mehmet të mos na e marrë për keq, por ne kështu kishim vendosur dhe jo se s’ kishim besim tek ai.
-Aspak- iu përgjigj Mehmeti.- Bile, unë mund të largohem.
-Jo- tha Mikojani- rrini![lxxxvii]
Mikoyan e dinte se Hoxha do t’ ia tregonte gjithçka Shehut me të mbaruar takimi, kështu që iu duk e kotë që t’ i kërkonte atij që të largohej. Hoxha shkruan në ditar në 31 janar 1960 për këtë takim me Mikoyan-in:
Sot me ftesën e Mikojanit shkuam në shtëpinë e tij. Ky për pesë orë rresht u përpoq të na përpunonte kundër Kinës. Çfarë të këqijash nuk tha ai kundër saj?!
Të gjitha sa na tha, na çuditën, na ngjallën dyshime, pse mënyra si na i tha nuk është aspak në rrugë të drejtë marksiste-leniniste. Qëllimi i sovjetikëve ishte të na përgatitnin kundër Kinës.[lxxxviii]
Por ajo gjë që duhet t’ i ketë ngjallur më tepër dyshime Hoxhës, ishte fakti se për të zhvilluar këtë bisedë me ta ishte ngarkuar Mikoyan-i. Ky i fundit ishte njeriu i cili kishte përfaqësuar udhëheqjen sovjetike në kongresin e fundit të partisë kineze, në 1956, kur Hrushovi nuk shkoi për shkak se Mao Ce Dun nuk shkoi në Kongresin XX, në fillim të atij viti. Hoxhës, me superndjeshmërinë që i ishte kultivuar, nuk mund të mos i ketë bërë përshtypje kjo gjë. Aq më tepër kur Mikoyan-i nuk ishte në elementin e vet në këtë rol, se ai nuk ishte një ekspert i çështjeve ideologjike. Duket se Mikoyan-i ishte caktuar vetëm për t’ i kujtuar Hoxhës sfidën që i kishte bërë Hrushovit në 1956 duke shkuar në Kinë, kur Hrushovi nuk shkoi atje. Sipas atyre që thotë Hoxha më lart del se qëllimi i bisedës së Mikoyan me Hoxhën ishte që sovjetikët ta bënin udhëheqjen shqiptare që të mbështeste qëndrimin e tyre në konfliktin me kinezët. Por kjo gjë vihet në dyshim nga një episod i bisedës, të cilin e sjell Hoxha në kujtimet:
Në mes të tjerash, Mikojani na foli edhe për Maon dhe e krahasoi atë me Stalinin duke thënë:
-I vetmi ndryshim midis Mao Ce Dunit dhe Stalinit është se Maoja nuk ua pret kokën kundërshtarëve të tij kurse Stalini po.[lxxxix]
Nëse sovjetikët donin ta përpunonin Hoxhën kundër Mao Ce Dunit, krahasimi i këtij të fundit me Stalinin, duke e nxjerrë më pak të keq se Stalini, ishte mënyra më e keqe për ta bërë këtë gjë. Se kështu dilte që vetë Hoxha ishte edhe më i keq se Mao Ce Duni, pasiqë ai ua kishte prerë kokën kundërshtarëve, njëlloj si Stalini. Sovjetikët nuk mund të mos e dinin se fjalët e mësipërme do të qenë ato që do t’ i nguleshin thellë në mendje Hoxhës nga e gjithë biseda. Njeriu që ia tha ato fjalë Hoxhës, Mikoyan-i, nuk ishte nga ata njerëz që i lëshonin fjalët në erë pa menduar efektin e tyre. Përkundrazi, Mikoyan-i ishte një nga njerëzit më të zgjuar në udhëheqjen sovjetike, jo vetëm në atë kohë, por në të gjithë historinë e saj. Kur Mikoyan botoi kujtimet, për to u bë komenti i famshëm se libri fare mirë mund të kishte mbajtur titullin «Nga Iliçi tek Iliçi», derisa ai mbijetoi në udhëheqjen sovjetike nga koha e Vladimir Iliç Lenin tek ajo e Leonid Iliç Brezhnjev. Jo, Anastas Mikoyan, i cili që kishte mbijetuar në kohët e vështira staliniane kur një fjalë e pakujdesshme e çonte udhëheqësin nga Kremlini në Lubianka, nuk ishte lloji i njeriut i cili mund të lëshonte fjalë pa i llogaritur pasojat e tyre. Mikoyan e dinte shumë mirë efektin që do të bënin fjalët e tij tek Hoxha dhe ai i tha ato me vetëdije, për ta bërë Hoxhën të largohej nga qëndrimi sovjetik në konfliktin ideologjik me Kinën.
Moska ishte duke e shtyrë Hoxhën në një sfidë të llojit të Titos në 1948, pra në shkëputjen nga Bashkimi Sovjetik, por duke ruajtur në thelb sistemin politiko-shoqëror-ekonomik të llojit sovjetik. Ky ishte kompromisi që Moska kishte bërë me Perëndimin sa i përket Shqipërisë. Sigurisht që Mao Ce Dun nuk dinte asgjë për këtë lojë sovjetike me Shqipërinë dhe ai as që e llogariste seriozisht Shqipërinë si një kartë në konfliktin e tij me Hrushovin. Por Mao Ce Dun ishte i intriguar nga fakti se Hoxha kishte shkuar në Pekin, në 1956, duke e sfiduar Hrushovin, prandaj nuk mund të rrinte pa bërë një tentativë tek Hoxha, para se ky të shkonte në Moskë, në janar, dhe kur dihej se sovjetikët do t’ i flisnin për çështjen e konfliktit ideologjik të tyre me kinezët. Hoxha në Plenumin XVII të Komitetit Qendror në korrik 1960, do të pretendonte se:
Nga shokët kinezë deri kohët e fundit ne nuk dinim asgjë për këtë çështje. Vetëm Mikojani na vuri në dijeni në shkurt të këtij viti.[xc]
Por ka disa fakte, të cilat do t’ i sjell më poshtë, që e përgënjeshtrojnë këtë gjë dhe të bëjnë të besosh se Mao Ce Dun, me anë të ambasadorit kinez në Tiranë, e ka vënë në dijeni Hoxhën për konfliktin kino-sovjetik dhe i ka kërkuar Hoxhës që të mbajë anën e Maos në në konfliktin me Hrushovin. (Kinezët nuk flisnin për konflikt me Bashkimin Sovjetik, por vetëm me Hrushovin.) Hoxha, para se ta bënte këtë Kërcim të Madh Para, po të shprehem në termin që ishte në modë në Kinë asokohe, donte të sigurohej për vlerën e kartës kineze. A do t’ i siguronte Kina Shqipërisë mbështetje ekonomike në rast se atë ia ndërpriste Hrushovi? Hoxha donte të bisedonte për këtë çështje drejtpërdrejt me një zyrtar kinez më të lartë se ambasadori kinez në Tiranë dhe kjo gjë mund të bëhej gjatë vizitës së Hoxhës në Moskë. Sovjetikët, kur panë se Hoxha erdhi në Moskë para kohe, që në janar, e nuhatën se do të kishte bisedime të fshehta shqiptaro-kineze dhe shpejtuan të bisedojnë me Hoxhën për këtë çështje. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që sovjetikët biseduan me Hoxhën për këtë çështje që të nesërmen e arritjes së tij në Moskë- fakti i parë. Takimi i Mikoyan-it me Hoxhën u bë me kaq ngut, edhe për të zbuluar nëse kishte pasur bisedime të fshehta shqiptaro-kineze para arritjes së Hoxhës në Moskë. Hoxha shkruan për takimin me Mikoyan-in:
Ne nuk u prononcuam për problemet që ngriti Mikojani.[xci]
Por, Hoxha, në fjalën e mbylljes në Plenumin XVIII të Komitetit Qendror, në 7 shtator 1960, do të fliste ndryshe, për bisedën me Mikoyan-in:
Ne i kemi thënë edhe Mikojanit se pikëpamjen që kanë për çështjet kufitare midis Kinës dhe Indisë, ta revizionojnë. Ne u themi atyre që në rast se grekët do të na futen në kufijtë tanë, në Gramoz, ne në asnjë mënyrë nuk do të qëndrojmë me duarlidhur. Edhe kinezët këtë gjë bënë me indianët. Mirëpo tani sovjetikët e akuzojnë Kinën për luftënxitëse dhe që nuk ka pyetur fare njeri për veprimet e saj. Po ata kë pyetën kur deklaruan për Kubën që në rast se do ta sulmojnë Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik do t’ i qëllojë me raketa. E para e punës, po të bëhet luftë në Kubë, në këtë luftë do të angazhohemi të gjithë. Atëherë, në rast se udhëheqësit sovjetikë i respektojnë vendet e tjera të kampit tonë, të paktën të na pyesin edhe ne për këta hapa kaq të rëndësishëm. Është e vërtetë se Kuba është vendi i një populli që ka luftuar. Por në rast se mbrojtjen e Kubës udhëheqësit sovjetikë e quajnë një qëndrim të drejtë, pse e akuzojnë atëherë Kinën për çështjen e Taivanit një ishull i madh me 10-12 milion banorë me rëndësi të madhe strategjike. Në këtë ishull që është pjesë e pandarë e Kinës, ka vendosur folenë e vet Flota VII Amerikane. E përse të ketë durim Kina të mos kërkojë t’ i kthehet toka e saj? Megjithatë, Kina nuk e ka humbur durimin, por nga ana jonë duhen të bëhen përpjekje dhe presione kundër imperializmit, se jemi një forcë e madhe.[xcii]
Hoxha nuk mund t’ i fliste kështu Mikoyan-it, në rast se nuk kishte biseduar paraprakisht me kinezët, dhe ishte i parapërgatitur për ato që do t’ i thoshin sovjetikët. Nga fjalët e mësipërme që tha Hoxha, sovjetikët kuptuan se kishte pasur bisedime të fshehta shqiptaro-kineze për çështjen e konfliktit kino-sovjetik. Hoxha e shihte konfliktin sovjeto-kinez, në sensin e Tarasit-Herman, pra si një kartë të cilën ai synonte ta përdorte në lojën me Hrushovin. Kur Hoxha mbante anën e e Mao Ce Dun, ai priste që Hrushovi të negocionte me të. Hoxha ishte gati që të ndante pikëpamjen e Hrushovit në konfliktin me Mao Ce Dun-in, madje të bëhej mbështetës zëmadh i pikëpamjes sovjetike, me kusht që Hrushovi të hiqte dorë nga kërkesa për dorëheqje dhe t’ i garantonte qëndrimin në pushtet. Por kur Hoxha u takua me Hrushovin në Moskë, disa ditë pas takimit me Mikoyan-in, udhëheqësi sovjetik nuk u mundua ta bindte Hoxhën për pikëpamjen sovjetike në konfliktin me Kinën. Hoxha shkruan në ditar, në 5 shkurt 1960:
Sot i bëmë një vizitë protokollare Hrushovit në Kremlin. Vizita zgjati shumë pak dhe nuk biseduam ndonjë problem.[xciii]
Hoxha priste që Hrushovi ta hapte çështjen e konfliktit sovjeto-kinez, ndryshe përse Mikojani e informoi paraprakisht? Për habinë e madhe të Hoxhës kjo gjë nuk ndodhi. Ky qëndrim i Hrushovit të jep të kuptosh se ai tashmë nuk ishte vërtet i interesuar që të kishte mbështetjen e udhëheqjes shqiptare në konfliktin me Kinën, por donte që ta shtynte Hoxhën në kursin e prishjes me Bashkimin Sovjetik. Sa ishte në dijeni Hoxha të kësaj loje sovjetike? Kjo shkon edhe përtej kufijve të spekulimit, por ka një tregues eksplicit, që është ai se Hoxha në atë kohë kurohej tek mjekët sovjetikë, duke mos pasur frikë se eliminonin, kur klinika e Kremlinit kishte një famë të keqe për vrasje të kamufluara me mënyra mjekësore. Në 5 shkurt 1960 pikërisht ditën e takimit me Hrushovin, Hoxha shkruan në ditar:
U vizitova tek doktor Preobrazhenski, në Kremlovskaja-Palnica. Gjendja ime shëndetësore është shumë e mirë.[xciv]
Kjo është klinika e Kremlinit, e rezervuar për udhëheqjen sovjetike. «Hermani» kishte rrezikuar shumë duke hyrë atje, pas bisedës që kishte pasur me Mikoyan-in. Gjithsesi kjo do të ishte hera e fundit që Hoxha do ta linte veten në duart e një mjeku sovjetik. Nuk është rastësi që kjo gjë ndodhi pikërisht ditën kur ai për herë të fundit pati një takim pak a shumë normal me Hrushovin. Hoxha kishte shkuar në Moskë si një njeriu i sovjetikëve dhe ishte larguar që andej si njeriu i kinezëve. Hoxha nuk kishte asnjë iluzion për arsyet e vërteta të prishjes kino-sovjetike. Ai do të shkruante në ditarin e vet në 13 dhjetor 1978, për marrëdhëniet kino-sovjetike në vitet pesëdhjetë:
Kina dëshironte të shfrytëzonte këtë afrim me Bashkimin Sovjetik për interesat e saj, por nuk i doli llogaria. Gjithashtu asaj nuk i doli as llogaria tjetër, plotësimi i kërkesave për ndihmat e mëdha ekonomike nga Bashkimi Sovjetik dhe sidomos për bombën atomike. Tek kjo e fundit qëndronte synimi kryesor, por bombën Kina nuk e mori dot. Atëherë në kokën e Mao Ce Dunit lindi, ose si me thënë u ringjall, dhe u riforcua ideja e largimit të Kinës javash-javash nga Bashkimi Sovjetik.[xcv]
Kjo ishte një deja vu e prishjes mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik. Precedenti jugosllavo-sovjetik duhet ta bënte Hoxhën të kuptonte se edhe marrëdhëniet kino-sovjetike po shkonin në të njëjtin kurs si ato jugosllavo-sovjetike. Në të dy rastet qenë sovjetikët ata që megjithatë do të ishin në dinamikë të prishjes për shkak se qenë të detyruar të refuzonin përmbushjen e ambicjeve të shfrenuara dhe të aventurizmit të Jugosllavisë dhe Kinës. Hrushovi shkruan në kujtimet e veta:
Kur vajtëm në Kinë, në vitin 1954 dhe zhvilluam disa biseda me Maon, më pas u thashë shokëve: «Konflikti me Kinën për ne është i pashmangshëm». Një përfundim të tillë e nxora nga replikat me Maon, si dhe nga situata që u krijua rrotull nesh.[xcvi]
Epigrami i prishjes sovjeto-kineze do të ishte: Terminin e saj e zgjodhi Mao Ce Dun-i dhe atë e bëri Hrushovi. Prishja sovjeto-kineze u bë e paevitueshme kur Mao Ce Dun shpalli Planin e Dytë Pesëvjeçar në Kinë (1958-1963), të mbiquajtur «Kërcimi i Madh Para», duke imituar kështu edhe në emërtim Planin e Parë Pesëvjeçar të Stalinit në 1928-1933. Plani pesëvjeçar maoist duhet ta shndërronte Kinën në një vend të industrializuar me bujqësi moderne të kolektivizuar. Kur Mao nuk mori mbështetjen e pritur nga sovjetikët për këtë utopi të re të tij, ai filloi t’ i sfidojë ata ideologjikisht. Hrushovi shkruan në kujtimet e veta:
Dhe ja papritur Mao shtron idenë e re: brenda pesë vjetëve do të arrijmë Amerikën. Prandaj filloi të organizojë në Kinë komunat, filloi të ngrejë pranë tyre reparte shkrirëse metali. Ai deklaroi se idea e bashkëekzistencës paqësore është pikëpamje borgjezo-pacifiste.[xcvii]
Për sovjetikët plani ishte një utopi paranoide, derisa parashikohej që çeliku të prodhohej nëpër furrnalta artizanale të ngritura në komunet popullore rurale, ku do të shkrihej gjithçka metalike që do të gjendej. Reagimi i Moskës ndaj Kërcimit të Madh Para në Pekin, ishte një Kërcim i Madh Prapa nga Kina, duke ndërprerë ndihmën ekonomike për Kinën, si të shkuar kot. Me këtë rast Bashkimi Sovjetik refuzoi përfundimisht t’ i japë Kinës teknologji për të prodhuar bombën atomike dhe raketat balistike, çka Kina e kishte kërkuar me insistim. Hrushovi mendonte që ndërprerja e ndihmës sovjetike, e kombinuar me dështimin katastrofal të utopisë së re maoiste do të bënte që Mao të rrëzohej nga pushteti, prandaj e rriti presionin. Që në 1959 Mao Ce Dun kishte ndeshur në kundërshtime serioze për politikën e tij të Kërcimit të Madh Para, e cila që në fillim krijoi një katastrofë bujqësore, duke shkaktuar në vitin 1959 një uri masive që solli vdekjen e shumë milion njerëzve. Pjesa më e madhe e udhëheqjes kineze qenë kundër utopisë së re maoiste, por Mao me kryeneçësi nuk pranonte të hiqte dorë prej saj. Mao mendonte se edhe ai mund të bënte atë që kishte bërë Stalini në Bashkimin Sovjetik në vitet tridhjetë, duke harruar se Stalini kishte pasur një bazë shumë më të madhe industriale se ajo kineze, dhe se kishte pasur dhe ndihmën e vendeve të fuqishme kapitaliste, për arsye koniukturale.
Por, ndodhi e kundërta e asaj që parashikoi Hrushovi. Ai pa dëshirën e vet i ofroi Maos gomën e shpëtimit ndërsa ai po mbytej në versionin politik të notimit të vet në Lumin e Verdhë. Si një manipulator i talentuar politik, Mao diti ta kthente në dobi të vet atë që Hrushovi supozoi të ishte një goditje fatale ndaj tij. Ndërprerja e ndihmës sovjetike i erdhi Maos atëherë kur duhej, si alibia e kërkuar për dështimin e utopisë së tij, dhe qartësisht e shpëtoi atë prej largimit nga pushteti. Mao fajësoi Hrushovin për dështimin e politikës së Kërcimit të Madh Para dhe e shkallëzoi luftën ideologjike ndaj tij. Mao u bëri të ditur rivalëve të tij në udhëheqjen kineze se ajo çka donte Hrushovi ishte pikërisht ajo që kishte dashur Stalini, dhe që e kishte thënë hapur në 1948, ndarja e Kinës horizontalisht, në Lumin e Verdhë, çka këtë herë do të arrihej me anë të luftës civile midis vetë komunistëve kinezë. Ky ishte interesi nacional rus dhe jo vetëm rus. Sipas të gjitha gjasave kjo e shpëtoi Maon nga eliminimi në atë kohë, kur e kishte çuar vendin në katastrofë. Jo vetëm Hrushovi, por edhe Hoxha, ishte në dijeni të gjendjes së vërtetë në Kinë, në atë kohë, për të cilën do të shkruante më vonë, në 13 dhjetor 1978:
Në Kinë, ashtu si edhe në vende të tjera, bëheshin plane të ndryshme ekonomike pesëvjeçare, përgatiteshin programe, hartohej dhe «hopi i madh», ndërtimi i industrisë së rëndë, por në realitet Kina këtu pati disfata që u propoganduan si fitore.[xcviii]
Për të gjitha këto Hoxhën e vuri në dijeni Mikoyan në bisedën e gjatë që ata patën në janar 1960. Edhe sikur Hoxha të mos besonte tek ato që thoshte Mikoyan, ai e kishte parë vetë Kinën para tre vjetësh e gjysmë dhe ishte në gjendje të kuptonte se ato që thoshte Mao qenë vetëm një utopi paranoide. Në fillim Hoxha as që ka menduar seriozisht se Kina, gjendjen e së cilës ai e njihte mirë, mund të zëvendësonte Bashkimin Sovjetik për Shqipërinë. Në kohën që Hoxha filloi të luante kartën kineze, Mao Ce Dun ngjante me një dragua të çmendur të përrallave kineze, i cili terrorizon njerëzit e humbur në një pyll të errët. Për këtë lojë që kishte filluar Hoxha nuk vuri në dijeni forumet drejtuese të partisë. Në plenumin e korrikut të atij viti ai do të thoshte për bisedën me Mikoyan në janar 1960, për konfliktin sovjeto-kinez:
Më në fund na sinjalizoi se «kjo është një çështje shumë sekrete, prandaj as Byrosë Politike mos ia thoni». Dhe ne nuk ia thamë as Byrosë Politike me përjashtim të disa shokëve.[xcix]
Mikoyan i kërkoi Hoxhës që të mos fliste për ato që i kishte thënë udhëheqja sovjetike, derisa nuk ishte rënë dakord që këto çështje të shqyrtoheshin në një mbledhje të komunizmit ndërkombëtar. Por Mikoyan nuk i tha Hoxhës që për qëndrimin që do të mbante zyrtarisht PPSH për këtë çështje, të mos vendoste Byroja Politike dhe Komiteti Qendror, por një klikë prej disa anëtarësh të Byrosë Politike. Në realitet qenë Hoxha dhe Shehu ata që vendosën bashkërisht të luajnë kartën kineze, duke e gjetur këtë si kursin më konvenues për qëndrimin e tyre në pushtet. Kur Komiteti Qendror u vu në dijeni, në korrik, ai gjendej tashmë para faktit të kryer.
Hoxha, gjatë vizitës së tij në Moskë, në janar-shkurt 1960, do të qëndronte atje edhe disa ditë pas takimit me Hrushovin në 5 shkurt, edhe pse sovjetikët qartësisht nuk e pëlqenin më praninë e tij. Por duket se Hoxha qëndroi më gjatë për të zhvilluar bisedime të fshehta me të dërguarit kinezë. Vetëm në 9 shkurt 1960 ai do të nisej në Shqipëri, kur shkruan në ditar:
U nisëm për në Tiranë me avion special TU-104. Në aerodrom na përcolli Muhtidinovi dhe disa shokë të tjerë të udhëheqjes sovjetike. Po sot mbërritëm shëndoshë e mirë në Tiranë.[c]
Kjo vizitë në Bashkimin Sovjetik duhet të ketë qenë shumë e lodhshme dhe stresuese për Hoxhën, se ai pas kthimit prej saj, do të nisej me pushime, në një periudhë të pazakontë të vitit. Në 22 shkurt 1960 ai shkruan në ditar:
U nisa për pushime në Sarandë dhe në Vlorë.[ci]
Ai qëndroi plot dy javë me pushime, çka kuptohet se ai shkruan në ditar në 8 mars 1960:
Sot u ktheva nga Vlora.[cii]
Për një njeri si ai, që vuante nga diabeti, stresi që kaloi gjatë kësaj vizite në Moskë, ishte një stimulues i tillë për sëmundjen që ai nuk mund t’ ia lejonte vetes. Por «Hermani» nuk mund të dilte nga loja. Strese edhe më të mëdha e prisnin Hoxhën pas kthimit nga pushimet. Në 17 prill 1960 nga Moska erdhi njoftimi se Shqipërisë nuk do t’ i jepej një sasi drithrash që kishte kërkuar brenda kredisë së akorduar nga Bashkimi Sovjetik. Regjimi kishte nevojë të domosdoshme për këtë sasi drithrash që të mund t’ i jepte popullsisë racionin e bukës deri në korrjet e verës. Hoxha tha për këtë çështje në 18 prill 1960 në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror:
Ja për shembull, dje erdhi njoftimi nga Moska që nuk na japin 20 000 ton drithëra. Po sikur të mos kishim ndihmën e Kinës si do të bënim? Atëherë, ose do të falimentojmë, ose do të mobilizohemi më shumë për të arritur shifra më të mëdha… Natyrisht, baza nuk e di që Bashkimi Sovjetik nuk na jep 20 000 ton drithëra, se po ta dinte nuk do të propozohej nga disa ulja e shifrave për hapjen e tokave të reja, për prodhimin e drithërave të bukës etj.[ciii]
Ajo çka Hoxha e tha si një një ngjarje dytësore, ishte në fakt një shenjë se Bashkimi Sovjetik do të ndërpriste ndihmën ekonomike ndaj Shqipërisë. Ky veprim i sovjetikëve në fakt nuk ishte një presion ndaj Hoxhës për shkak të qëndrimit të mbajtur prej tij në Moskë, gjatë vizitës së fundit. Nëse sovjetikët do të kishin dashur që Hoxha të ndryshonte pikëpamje në lidhje me qëndrimin sovjetik ndaj Kinës, ata do t’ i kishin bërë presion Hoxhës që kur ishte në Moskë, por ai nuk thotë se ata e bënë një gjë të tillë. Sovjetikët, me mosfurnizimin e Shqipërisë me drithë donin të shkaktonin një krizë që do ta bënte Hoxhën dhe Shehun të largoheshin nga pushteti, çka do të ndodhte në mënyrë të paevitueshme në rast se vendi përfshihej nga një krizë buke në maj. Kjo ishte mënyra më komode e sovjetikëve për ta larguar dyshen Hoxha-Shehu nga pushteti, derisa nuk donin që ta bënin këtë me mënyra të tjera, për arsye që i kam shpjeguar më lart në këtë libër. Tashmë kur ishte e qartë se Hoxha dhe Shehu nuk do ta mbanin kongresin e radhës të partisë brenda afatit në maj, dhe kur nuk dihej se kur do ta mbanin, sovjetikët nuk kishin mënyrë tjetër për t’ i larguar ata të dy nga pushteti. Plani i sovjetikëve mund të mos funksiononte vetëm në rast se Shqipërinë e ndihmonte Kina me drithë. Kështu që plani sovjetik shndërrohej edhe në një test të marrëdhënieve shqiptaro-kineze, për të parë se sa larg kishin shkuar ato. Kina, siç tha Hoxha më lart iu përgjigj Shqipërisë, edhe pse gjendej në një vit shumë të vështirë bujqësor, kur u detyrua të importonte 15 milion ton drithra, për të kompensuar katastrofën bujqësore të shkaktuar nga Kërcimi i Madh Para.
Pikërisht në prill 1960, kur Hoxha i kërkoi ndihmë në drithra Kinës, Mao Ce Dun urdhëroi ndërprerjen e luftës kundër harabelave, e cila kishte filluar në 1958, kur kinezët me urdhër të kryetarit Mao filluan të vrasin harabelat, të cilët akuzoheshin se hanin një pjesë të mirë të orizit, grurit dhe misrit. Në shkurt 1957, Mao Ce Dun do të deklaronte:
Kur ne hartojmë një plan, rregullojmë një punë ose studiojmë një problem, duhet të nisemi nga fakti që vendi ynë ka një popullsi prej 600 milionë frymësh dhe në asnjë rast nuk duhet ta harrojmë këtë.[civ]
600 milion njerëz u angazhuan në luftë kundër harabelave duke vrarë triliona e triliona prej tyre në këtë vend të madh. Në pritje të luftës kundër «tigrit prej letre», ndryshe imperializmit amerikan, kinezët stërviteshin duke vrarë harabela. Por pakësimi i harabelave çoi në shtimin në insekteve të dëmshme, të cilët deri dje kishin qenë ushqim për harabelat, prandaj në prill 1960 Mao e ndërpreu fushatën antiharabel. Derisa Mao u pajtua që harabelat të hanin një pjesë të drithit në Kinë, ai nuk e quante ndonjë sakrificë të madhe që të ushqente diçka më tepër se një milion shqiptarë, duke u kompensuar diferencën mes asaj që prodhonin dhe asaj që kishin nevojë, duke qenë se kjo sasi ishte sigurisht shumë më e vogël se ajo që hanin harabelat e Kinës gjigande. Hoxha, në një takim me me kuadro të Peshkopisë, në 1 qershor 1960, do të thoshte:
Ky është një problem i dorës së parë, pasi nuk e kemi realizuar detyron e Kongresit III të Partisë për sigurimin e bukës në vend, gjë që na bën të importojmë 40-50 mijë ton drithë çdo vit.[cv]
Derisa kjo sasi nuk qe ndonjë sakrificë e madhe për Kinën, ajo ishte jetike për regjimin e Hoxhës që të vazhdonte të mbijetonte, duke u dhënë njerëzve racionin e bukës. Se në fakt, edhe pasi u hoq triskëtimi, buka ishte e racionuar dhe shitej me listë. Çdo familje duhet ta blinte në një dyqan të caktuar dhe në një sasi të caktuar sipas numrit të anëtarëve. Në letër jepej 1 kg bukë në ditë për person, por në realitet nuk ishte kështu, se e famshmja bukë dykilogramshe, nuk ishte kurrë vërtet 2 kg, por gjithmonë më pak.
Hrushovi, për të mos bërë figurë të keqe në botë, sikur po linte të vdiste urie «xhevahirin» që do të sugjestiononte vendet arabe, bëri një lëvizje prej iluzionisti, për të cilën Hoxha shkruan në ditar, në 28 prill 1960:
Ambasadori sovjetik Ivanov më dorëzoi letrën që na dërgon Hrushovi, në përgjigje të letrës sonë të shkurtit për kërkesë kredie, me anë të së cilës na njofton se Bashkimi Sovjetik na shtyn shlyerjen e kredive dhe të kësteve të viteve 1960-1965, të cilat ne duhet t’ i paguajmë në vitin 1975. Ç’ të jetë kjo shenjë «behari» nga Moska?! Kushedi se ç’ është duke përgatitur Hrushovi, gjersa do të na marrë me të mirë.[cvi]
Në rast se Hrushovi synonte që ta detyronte Hoxhën që t’ i nënshtrohej, atëherë nuk duhej që ta bënte këtë lëvizje. Ky gjest filantropie i panevojshëm, derisa Bashkimi Sovjetik mund t’ i shtynte afatin e pagesës Shqipërisë në momentin kur nuk arrinte ta përmbushte detyrimin, tregonte se Moska kishte vendosur ta braktiste Shqipërinë, dhe po bënte apologjinë e saj, duke dëshmuar qëllimet e saj të mira. Gjithsesi, pavarësisht se cilat qenë motivet e Hrushovit, kjo ishte një ndihmë e madhe për Shqipërinë. Reagimi i shpejtë i Kinës, për të ndihmuar Shqipërinë me drithë, kur Bashkimi Sovjetik e ndërpreu furnizimin, do të thoshte praktikisht shpallje e aleancës antisovjetike mes Kinës dhe Shqipërisë, edhe pse Hoxha në fillim nuk i perceptonte gjërat kështu. Kina, vendi për të cilin Hoxha e vuri Shqipërinë para rrezikut të urisë, përbuzej nga Hoxha, në mënyrë raciste. Këtë ndjenjë ndaj kinezëve ai nuk e fsheh as në kujtimet e veta të publikuara. Kështu, në 23 tetor 1978, Hoxha shkruan në ditar:
Ten Hsiao Pini, shkurtabiqi i verdhë kinez, shkoi në Tokio i shoqëruar nga 40 veta.[cvii]
Derisa pjesa më e madhe e kinezëve qenë të shkurtër dhe të gjithë kinezët qenë të verdhë, kjo do të thoshte se Hoxha ishte një racist antikinez. Në 1 shkurt 1979 Hoxha bën në ditar shënimin:
Shkurtabiqi i verdhë në Shtëpinë e Bardhë.[cviii]
Në këtë shënim thuhet:
Që prej datës 28 janar, Ten Hsiao Pini ndodhet në SHBA për vizitë zyrtare.[cix]
Është e qartë se aleanca faktike e Hoxhës me Kinën, popullin e së cilës ai e përbuzte, dhe kauzën ideologjike të së cilës nuk e besonte (me të drejtë) ishte thjesht një lëvizje në dobi të qëndrimit të tij në pushtet. Në lojë tashmë kishte një kartë kineze, me të cilën formohej kombinacioni magjik, dhe «Hermani» ishte i vendosur ta luante atë, pavarësisht pasojave që i vinin Shqipërisë nga kjo lojë.
5.
Deja vu e Mukje 1943 dhe Paris 1946: Hoxha mungon në Mbledhjen e Bukureshtit
Që prej shkurtit, kur u kthye nga Bashkimi Sovjetik, Hoxha priste që Hrushovi të negocionte me të për çështjen kineze, duke e blerë mbështetjen e Hoxhës për pikëpamjen sovjetike, me pranimin që ai të vazhdonte të rrinte në pushtet. Kur ambasadori sovjetik në Tiranë erdhi ta takonte në 4 qershor, Hoxhës iu ngjallën shpresat përsëri nga njoftimi që i bëri ai. Në këtë ditë ai shënon në ditarin e vet:
Sot ambasadori sovjetik Ivanov më dorëzoi letrën zyrtare të Nikita Hrushovit, në lidhje me organizimin e një mbledhjeje të partive komuniste dhe punëtore të vendeve të kampit socialist dhe të një mbledhjeje të Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës. Në letër propozohet që këto mbledhje të zhvillohen në Bukuresht nga fundi i këtij muaji.[cx]
Hoxha nuk e dinte se Hrushovi e kishte thirrur këtë mbledhje për të atakuar Kinën. Hoxha ende nuk e kishte të qartë se deri sovjetikët kishin ndërmend të shkonin në presionin ndaj Kinës dhe me ç’ qëllim e ushtronin atë. Ai mendoi se kjo mbledhje do të ishte një rast që ai të takohej me Hrushovin, duke shpresuar se ky i fundit do të negocionte me të, ashtu që Hoxha të mbështeste Moskën në konfliktin e saj me Pekinin. Prandaj Hoxha jo vetëm e pranoi propozimin e Hrushovit, por vendosi të shkojë vetë në mbledhje, siç del nga kujtimet e tij:
Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik na dërgoi nga fillimi i muajit qershor 1960 një letër ku propozohej që Mbledhja e Partive komuniste e punëtore të vendeve të kampit socialist të bëhej duke shfrytëzuar rastin e zhvillimit të Kongresit të 3-të të Partisë Punëtore Rumune. Ne iu përgjigjëm pozitivisht këtij propozimi dhe vendosëm të dërgonim një delegacion të cilin do ta kryesoja unë.[cxi]
Hrushovi në të vërtetë e dinte se kjo mbledhje nuk mund të mbahej se kinezët me siguri që do ta kundërshtonin pjesëmarrjen në të. Kinezët e dinin se në kjo mbledhje ishte e pafavorshme për ta, se të gjithë pjesëmarrësit do të mbështesnin fort sovjetikët, me përjashtim të koreanoveriorëve dhe vietnamezoveriorëve të cilët do të tregoheshin të përmbajtur, por gjithsesi do të anonin nga sovjetikët. Veç kësaj kinezët e dinin se në këtë mbledhje të vogël sovjetikët do t’ i atakonin ashpër. Prandaj kinezët qenë dakord që të mbahej vetëm mbledhja e parashikuar e partive komuniste e punëtore të botës, që do të zhvillohej në nëntor, ku sovjetikët-mendonin kinezët-do të evitonin që të atakonin ashpër Kinën në një forum kaq të gjerë të komunizmit ndërkombëtar. Në fakt udhëheqja kineze nuk pranoi as atëherë dhe as më vonë të merrte pjesë në një mbledhje të vendeve komuniste. Hoxha pretendon se dyshoi në qëllimet e Hrushovit kur sovjetikët, pas katër ditësh i dhanë një njoftim tjetër, për të cilin ai shkruan në ditar, në 8 qershor:
Prita ambasadorin sovjetik, Ivanov, i cili më lajmëroi se mbledhja që ishte propozuar të mbahej në Bukuresht shtyhet, dhe më dorëzoi një letër të dytë të Hrushovit, të datës 7 qershor, ku shpjegoi pse shtyhet kjo mbledhje. Por në këtë letër të dytë kërkohet që në Bukuresht përfaqësuesit e partive motra të kampit socialist të mblidhen për të përcaktuar vendin dhe kohën kur do të mbahet mbledhja e ardhshme. Si tepër e përdredhur kjo punë: Edhe «ta shtyjmë» mbledhjen, edhe të bëjmë një tjetër po në Bukuresht. Mos fshihet ndonjë hile pas kësaj?[cxii]
Gjithsesi këtu nuk kishte asgjë për të dyshuar, në rast se Hoxha nuk kishte ndonjë informacion shtesë nga ndonjë burim tjetër, për të cilin eviton të flasë. Hoxha do të thoshte në fjalimin që mbajti në mbledhjen e Moskës të partive komuniste e punëtore të botës në nëntor 1960:
Asnjë paralajmërim nuk i është bërë Partisë së Punës të Shqipërisë nga ana e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që organizoi Mbledhjen e Bukureshtit, se me rastin e Kongresit të Partisë Punëtore të Rumanisë do të ngriheshin akuza kundër Partisë Komuniste të Kinës për gjoja gabime të rënda në vijë. Kjo gjë i erdhi në mënyrë krejt të papritur Partisë së Punës të Shqipërisë. Kurse tani po marrim vesh se partitë e tjera të kampit, me përjashtim të Partisë së Punës të Shqipërisë, Partisë Komuniste të Kinës, Partisë së Punës të Koresë, Partisë së Punonjësve të Vietnamit, ishin në dijeni se në Bukuresht do të organizohej mbledhja për të akuzuar Kinën. Në qoftë se ka ndodhur kështu, atëherë është fare e qartë se çështja bëhet shumë më serioze dhe merr formën e një fraksioni me karakter ndërkombëtar.[cxiii]
Në këto fjalë shprehet më tepër zhgënjimi i Hoxhës se sovjetikët nuk bënë asnjë përpjekje që ta bindnin të ndante të njëjtën pikëpamje me ta në konfliktin me Kinën. Kjo tregon se sovjetikët tashmë, praktikisht, e kishin fshirë Shqipërinë nga lista e vendeve komuniste satelite të tyre. Sipas atyre që thotë Hoxha më lart sovjetikët kanë përjashtuar nga loja e tyre dy vendet komuniste aziatike- kufitare me Kinën, si dhe Shqipërinë. Qartësisht, sovjetikët tashmë e shihnin Shqipërinë si një satelit të Kinës. Hrushovi po e eksploitonte qëndrimin e Hoxhës në Moskë, në janar, për të avancuar agjendën e tij të braktisjes totale të Shqipërisë nga ana e Bashkimit Sovjetik. Por Hoxha, pavarësisht se nuk e informuan sovjetikët për atë që do të ndodhte në Bukuresht, nuk duket të jetë krejt i painformuar. Dyshimet për të cilat flet Hoxha, se iu krijuan pas njoftimit të dytë të sovjetikëve, në fakt nuk mund të qenë veçse rezultat i informimit që i bënë kinezët atij se sovjetikët do ta shndërronin mbledhjen në gjyq ndaj tyre. Vetëm në bazë të këtij informacioni Hoxha ishte në gjendje të kuptonte se çfarë kishin parasysh sovjetikët kur e njoftuan, siç thotë ai në një libër tjetët me kujtime se:
Në këtë mbledhje- thoshin sovjetikët- përveç caktimit të datës e të vendit, 'mund të shkëmbehen edhe mendime pa marrë asnjë vendim.[cxiv]
Hrushovi donte kështu që mbledhja e cila ishte anuluar të mbahej në njëfarë mënyre, duke u detyruar pjesëmarrësit të prononcoheshin për konfliktin sovjeto-kinez.
Tarasi-Herman shkundi kokën dhe pa situatën ku gjendej. Hrushovi nuk po negocionte me të, ndërsa Mao Ce Dun i kërkonte që të mbështeste Kinën kundër Bashkimit Sovjetik. Por Hoxha ende nuk e kishte ndarë dilemën, se nuk ishte i bindur që për të kishte marrë fund alternativa sovjetike, dhe në anën tjetër nuk ishte aspak i sigurt se sa serioze ishte alternativa kineze. Nëse shkonte në mbledhjen e Bukureshtit ai do të detyrohej që të mbante qëndrim pro njërës palë, sovjetikëve apo kinezëve. Në këtë moment ai nuk donte as njërën as tjetrën. Ai mendonte se ende kishte mundësi ta përdorte kartën kineze në lojën me Hrushovin, duke e detyruar atë që të negocionte me të. Do të mjaftonte që të mos shkonte në mbledhjen e Bukureshtit, ku thjesht do të përcaktohej data e mbledhjes që kishte kërkuar Hrushovi. Mosprania e Hoxhës në mbledhjen e Bukureshtit do të ishte një sinjal i qartë për Hrushovin se Hoxha priste lëvizjen e tij. Në këtë rrethanë, Hrushovit nuk i mbetej veçse të negocionte me Hoxhën. Prandaj Hoxha vendosi të mos shkonte në mbledhjen e Bukureshtit. Ai shkruan në kujtimet për mosvajtjen e tij në Bukuresht:
Përse nuk shkova unë në Bukuresht? Unë personalisht dhe shokët e tjerë të Byrosë Politike që ishin në dijeni, dyshonim se në Bukuresht do të diskutohej problemi i divergjencave që ishin shfaqur midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik. Ne nuk ishim dakord për një gjë të tillë, sepse, së pari, për këtë problem kishim dëgjuar vetëm njërën palë, atë sovjetike, dhe nuk njihnim kundërargumentet e kinezëve; së dyti, divergjencat kishin të bënin me probleme kardinale të teorisë dhe të praktikës së lëvizjes komuniste ndërkombëtare dhe ne nuk mund të shkonim në një mbledhje me një përgjegjësi të tillë e të prononcoheshim pa e diskutuar e vendosur qëndrimin tonë në Plenumin e Komitetit Qendror. Këtë, ndërkohë, s’ mund ta bënim, sepse probleme të tilla nuk mund të shtroheshin në Komitetin Qendror shpejt e shpejt, në këmbë. Ato duheshin rrahur thellë, duheshin studiuar me kujdes e për këtë duhej kohë.[cxv]
Por Hoxha ishte në dijeni që në janar për konfliktin sovjeto-kinez, dhe në takimin me Mikoyan-in në Moskë ishte prononcuar për këtë çështje pa pasur mandatin e Komitetit Qendror dhe pasi u kthye në Tiranë nuk e vuri në dijeni forumin drejtues të partisë për këtë çështje. Është e qartë se alibia e Komitetit Qendror nuk qëndron fare. Për më tepër që Hoxha e pranoi propozimin sovjetik për mbledhjen në Bukuresht, për të cilën e dinte se për çfarë do të flitej, pa pyetur Komitetin Qendror. Ai shkruan në kujtimet për këtë gjë:
Ne ramë dakord me këtë propozim dhe vendosëm të çojmë në Bukuresht një delegacion partie me shokun Hysni Kapo.[cxvi]
Hoxha, me djallëzi, çoi në mbledhje Kapon, për të cilin ai e dinte se sovjetikët po e pomponin si pasardhës të tij. Kur Hoxha i ofroi Kapos që të shkonte në mbledhjen e Bukureshtit në emër të Komitetit Qendror të PPSH ai e mori këtë si një gjest me të cilin Hoxha donte ta merrte me të mirë. Kapo nuk mund t’ i rezistonte ofertës për të shkuar si përfaqësues i Shqipërisë në një forum të lartë të komunizmit ndërkombëtar. Ai nuk dinte asgjë për konfliktin sovjeto-kinez, se Hoxha nuk i kishte treguar për bisedën që kishte pasur me Mikoyan-in në Moskë, në janar, çka del nga radiogramet që Kapo dhe Hoxha do të shkëmbenin gjatë ditëve të mbledhjes. Kurthi për Kapon ishte se kur ai të gjendej në Bukureshtit para kërkesës sovjetike për të mbajtur qëndrim në konfliktin sovjeto-kinez, dhe t’ i kërkonte Hoxhës udhëzime, ky do t’ i thoshte se nuk mund ta bënte këtë gjë pasi për këtë gjë duhet të vendoste Komiteti Qendror. Kapo nuk kishte çfarë të thoshte për këtë se ai ishte sekretar i Komitetit Qendror dhe e njihte statutin e partisë. Në 24 qershor Hoxha do t’ i çonte një radiogram Kapos në Bukuresht, ku i thoshte:
Në qoftë se paraqitin komunikatë ose rezolucion si konkluzion të mbledhjes, ku të bëhet qoftë edhe aluzioni më i vogël kundër Kinës dhe jashtë përmbajtjes së Deklaratës së Moskës (1957) ti nuk duhet ta firmosësh.[cxvii]
Sigurisht që Kapo do ta kuptonte se po e përdornin, por ai nuk kishte çfarë të thoshte. Nëse Kapo megjithatë do të mbështeste qëndrimin sovjetik në mbledhje, atëherë Hoxha do të gjente rastin e shumëpritur për ta eliminuar atë, si njeri që shkeli statutin e partisë për një çështje kaq të rëndësishme.
Edhe udhëtimin e Kapos nga Tirana në Bukuresht Hoxha do ta kombinonte me dinakëri, duke e zgjatur në mënyrë, që ai të arrinte në Bukuresht vetëm në momentet e fundit, para fillimit të kongresit. Hoxha do ta shënonte në ditar çdo hap të Kapos në këtë mision delikat në Bukuresht. Në 18 qershor ai shënon në ditar:
Hysniu niset sot për të përfaqësuar Partinë tonë në punimet e Kongresit të 3-të të Partisë Punëtore Rumune.[cxviii]
Në libër është shënimi shpjegues në fund të faqes:
Delegacioni i Partisë së Punës të Shqipërisë, i kryesuar nga shoku Hysni Kapo, arriti në Bukuresht më 20 qershor 1960.[cxix]
Udhëtimi me avion nga Tirana në Bukuresht nuk mund të zgjaste dy ditë, por jo më shumë se dy orë, edhe sikur ai të udhëtonte me avion jo të shpejtë. Por Kapo nuk ka shkuar drejtpërdrejt nga Tirana në Bukuresht, siç do të bënte në kthim, kur Hoxha do të niste për të avionin qeveritar, por ka udhëtuar me linjën. Kapo ka marrë avionin e linjës i cili të çonte në një kryeqytet të vendeve komuniste më afër Bukureshtit, atë të Budapestit, dhe pastaj nga Budapesti ka udhëtuar me tren për në Bukuresht. Kështu shpjegohet që ai u nis nga Tirana në 18 qershor dhe arriti në Bukuresht pas dy ditësh në 20 qershor, pikërisht ditën kur filloi Kongresi III i partisë rumune. Kjo i konvenonte Hoxhës se siç shkruan në kujtimet:
Të gjitha partitë e vendeve të demokracisë popullore të Evropës dërguan në Bukuresht sekretarët e parë, prandaj Hrushovit nuk i erdhi mirë që s’ vajta unë dhe pyeti:
-Pse nuk erdhi shoku Enver! A mund ta lajmëroni të vijë?
Hysniu i tha:
-Shoku Enver nuk vjen tani. Ai do të vijë në mbledhjen e ardhshme të partive, kohën dhe vendin e së cilës do ta vendosim këtu.[cxx]
Hoxha e vuri Hrushovin para faktit të kryer. Dy ditë pas arritjes së Kapos në Bukuresht, në 22 qershor, Hoxha do t’ i çonte atij një letër (!) ku do t’ i thoshte:
Çdo tentative a sugjerimi nga ana e sovjetikëve për ardhjen time në Bukuresht duhet t’ i përgjigjesh se ai nuk vjen.[cxxi]
Hoxha i rikthehet vazhdimit çështjes së mosvajtjes së tij në Bukuresht. Në plenumin e Komitetit Qendror, në korrik të atij viti, ai do të thoshte:
Po përse në Bukuresht shkuan sekretarët e parë të partive të vendeve socialiste dhe unë nuk shkova? Unë bëra shumë mirë që nuk shkova, se zbatova vendimin e Byrosë Politike, për të mos kompromentuar Partinë tonë në çështje që nuk janë marksiste-leniniste. Unë do të paraqitja atje mendimet e Byrosë Politike, të cilat shumë mirë i transmetoi Hysniu. Mosvajtja ime u dogji udhëheqësve sovjetikë se atje shkuan të gjithë, vetëm Enveri nuk shkoi, se veprimet nuk binin erë të mirë.[cxxii]
Mosvajtja e Hoxhës në Bukuresht ishte në traditën e tij që të mungonte në raste të tilla. Kështu kishte bërë ai në 1943, në Mukje, në 1946, në Konferencën e Paqes në Paris, në 1956, në Konferencën e Tiranës, dhe kështu po bënte edhe tash. Hoxha pretendon se duke mos shkuar në Bukuresht ai zbatoi vendimin e Byrosë Politike. Në volumin 18 të serisë së Veprave të Hoxhës, që mbulon periudhën deri në nisjen e Kapos në Bukuresht nuk jepet asgjë që ka të bëjë me një mbledhje të Byrosë Politike ku supozohet të jetë marrë një vendim i tillë.
Në Bukuresht sovjetikët u dorëzuan delegacioneve një dosje të madhe për mosmarrëveshjet me Kinën. Për këtë çështje Hoxha do të thoshte në fjalimin e mbylljes në Plenumin XVII, në 12 korrik, ku u «diskutua» për qëndrimin e mbajtur në mbledhjen e Bukureshtit:
N. Hrushovi akuzon Kinën se do luftë dhe shtrembëron hapur e me qëllim të keq thëniet e shokut Mao Ce Dun. Ne e dëgjuam vetëm shokun Mao Ce Dun kur foli në Mbledhjen e partive komuniste e punëtore në Moskë në 1957. Shoku Mao Ce Dun foli me hollësi për forcën e madhe të kampit socialist duke filluar qysh nga Lufta e Dytë Botërore, nga lufta në Kore, në Indokinë etj. Pastaj foli për forcën e madhe të kampit tonë, theksoi se ka mundësi që imperialistët edhe të na godasin. Në rast se do të bëhet luftë, imperializmi mund të përdorë edhe bombën atomike e mund të vriten edhe qindra milion njerëz, megjithatë tha, ne do të fitojmë. Edhe shprehjen e shokëve kinezë se «imperializmi është tigër prej letre» nuk e interpretojnë drejt. Udhëheqësit sovjetikë kapen pas ndonjë shprehjeje dhe e kurdisin ndryshe. Me këtë kinezët kanë dashur të argumentojnë kalbëzimin e imperializmit. Vetë Mao Ce Duni vuri në dukje forcën e madhe të kampit tonë duke thënë se përpara forcës së madhe të kampit socialist imperializmi është një tigër prej letre.[cxxiii]
Sikur Hoxha të kishte pasur një karrierë prej militanti komunist që në rininë e hershme, të kishte shkuar të luftonte në Spanjë dhe të ishte burgosur e internuar si komunist nga monarkia zogiste dhe fashizmi, do të duhej që të shqyrtohej seriozisht cështja nëse ishte me të vërtetë përkushtimi ideologjik që e shtynte atë të kishte një pikëpamje të tillë. Por derisa Hoxha ishte ai që ishte, kjo duhet përjashtuar krejtësisht. Hoxha ishte një comedian që po luante militantin e komunizmit ndërkombëtar, Më pas vetë Hoxha do të tallej me shprehjen e mësipërme të Maos për imperializmin si tigër prej letre. Kur Hoxha ndan mendimin e Mao Ce Dun se lufta bërthamore me bllokun kapitalist nuk është një ngjarje para së cilës blloku komunist duhet të tërhiqet, sado apokaliptike që të ngjajë ajo, nuk është se tregon trimëri të marrë, të ardhur nga fanatizmi ideologjik, por sharlatanizëm. Hoxha e dinte mirë se Mao Ce Dun e bënte këtë gjë se Kina nuk ishte fuqi bërthamore, ashtu që këto deklarata bota nuk i merrte seriozisht. Por do të ishte krejt ndryshe në rast se Bashkimi Sovjetik, superfuqia bërthamore, do të adoptonte gjuhën e Mao Ce Dunit. Kjo do ta shkallëzonte tensionin mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA për komoditetin e Kinës. Kur Kina do të bëhej fuqi bërthamore, Mao Ce Dun nuk do të fliste më kështu. Por, derisa Mao Ce Dun, duke thënë sa më lart zhvillonte interesin nacional kinez, të kamufluar me veshje ideologjike, Hoxha thjesht zhvillonte interesin e pushtetit personal. Hoxha, në plenumin e korrikut 1960, bëri një pohim domethënës për qëndrimin në mbledhjen e Bukureshtit:
Për shumë gjëra të tjera, jo të kësaj natyre, ne i jemi përgjigjur menjëherë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, se jemi dakord, por për një çështje kaq të madhe sa t’ i themi Kinës: «ik jashtë nga kampi!» na duket se nuk është e drejtë. Byroja Politike ka menduar se ne nuk duhet ta bënim kurrë një akt të tillë.[cxxiv]
Hoxha pohoi kështu me sinqeritetin e vet se qëndrimi i tij nuk vinte nga përkushtimi ndaj ortodoksisë ideologjike, por nga motive të tjera. Hoxha kishte ndarë të njëjtat mendime me Hrushovin sa kohë që ky i fundit kishte mbështetur Hoxhën që të rrinte në pushtet, ndërsa tash që Hrushovi kërkonte largimin e Hoxhës nga pushteti, Hoxha kishte pikëpamje të kundërta me të edhe për çështje të tjera ideologjike. Është ironi e madhe se vetë Hoxha më vonë do të jepte vazhdimisht argumente që dëshmonin hipokrizinë e tij në qëndrimin për konfliktin kino-sovjetik. Në 20 tetor 1979 Hoxha do të thoshte për Kinën në një takim në Shkodër me kuadro të rretheve të Veriut:
Tërë këtë politikë ajo e bën gjoja në emër të luftës kundër revizionistëve sovjetikë. E vërteta është se ajo nuk e ka hallin te revizionizmi, se aty është zhytur dhe vetë, por lakmon tokat e Bashkimit Sovjetik, për arsye se nuk i mjaftojnë ato që ka. Historia njeh raste që kombe e shtete të tilla kanë invaduar Evropën dhe botën. Kështu kanë qenë normanët, vikingët që zaptuan tërë Evropën dhe më në fund u zhdukën. Edhe Kina me një popullsi kaq të madhe, e sunduar aktualisht nga fashistët, bëhet rrezik i madh për botën.[cxxv]
Hoxha pohonte kështu se Mao Ce Dun ishte një version kinez i Hitlerit, i cili kërkonte hapësirë jetike për popullin e vet të madh. «Antifashisti» Hoxha vetë dilte të ishte kolaboracionist i këtij regjimi nazist aziatik. Ky do të ishte kolaboracionizmi i tretë i Hoxhës që nga ardhja në pushtet, pas atij me jugosllavët dhe rusët. Hoxha, nga mbledhja e Bukureshtit mësoi atë që donte të dinte. Duke folur në stilin e Stalinit, me pyetje që i bënte vetë dhe u jepte përgjigje po vetë, ai do të thoshte në plenumin e korrikut:
Më në fund pyesim: Çfarë u bë në Bukuresht? Asgjë nuk u zgjidh, vetëm se u rreshtuan forcat për një luftë të ashpër, sikur kishim të bënim me SHBA-në dhe jo me motrën e madhe, Kinën.[cxxvi]
Por disa enigma të rëndësishme u zgjidhën për Hoxhën në Bukuresht. Hoxha mësoi nga mbledhja e Bukureshtit dy gjëra shumë të rëndësishme për lojën e tij të ardhshme. E para ishte se konflikti kino-sovjetik ishte i pariparueshëm, dhe se Hrushovi nuk e donte pajtimin me Mao Ce Dunin, për shkak se donte të bënte diversion në udhëheqjen kineze. Gjëja e dytë që mësoi Hoxha nga mbledhja e Bukureshtit ishte se Hrushovi, ndryshe nga ç’ priste Hoxha, nuk kishte asnjë interes serioz që ai të ishte në anën sovjetike, kundër Kinës, dhe as që kishte ndërmend që të negocionte për këtë gjë me Hoxhën. A nuk do të thoshte kjo tërthorazi se Hrushovi po i thoshte Hoxhës tërthorazi atë që ua tha drejtpërdrejt të dërguarve kinezë në Bukuresht, dhe që e përmend Hoxha në letrën që i çoi Belishovës në fund të qershorit, kur ajo kthehej nga Pekini në Moskë:
Puna vajti deri atje sa Hrushovi u tha kinezëve «trockistë» dhe «po të doni largohuni nga kampi».[cxxvii]
Hrushovi po i thoshte tërthorazi Hoxhës se mund të largohej nga kampi. Sovjetikët e përdorën qëndrimin e Hoxhës në mbledhjen e Bukureshtit, për të nisur zbatimin e agjendës së tyre për ta braktisur Shqipërinë. Hoxha, në fjalimin që mbajti në 7 nëntor 1961 në mbledhjen solemne për 20-vjetorin e krijimit të PPSH, ku do t’ i përgjigjej Hrushovit që tre javë më parë kishte bërë publike prishjen mes dy vendeve, do të thoshte:
Nga ana tjetër dihet mirë prej të gjithëve se shtypi i Republikës Popullore të Shqipërisë shkruan vazhdimisht mbi jetën dhe sukseset e Bashkimit Sovjetik në ndërtimin e komunizmit, përkrah hapat dhe propozimet e ndryshme të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik e të qeverisë sovjetike lidhur me çështjet e ndryshme ndërkombëtare. Kurse shtypi sovjetik, në të kundërtën, prej afro një viti e gjysmë ka shpallur një bllokadë të rreptë heshtjeje kundër Shqipërisë, ndërsa nuk lë që t’ i shpëtojë as rasti më i vogël për të shkruar qoftë edhe për ndonjë fjalë pozitive që i ka shpëtuar rastësisht ndonjë lordi anglez. Shtypi sovjetik nuk shkruan asnjë radhë jo më për Partinë e Punës të Shqipërisë, por as për Shqipërinë, sikur mbi tokë të mos ekzistonin fare as Republika Popullore e Shqipërisë dhe as populli shqiptar, që ndërton socializmin e lufton për paqen në gojën e ujkut, i rrethuar nga të katër anët nga imperialistët dhe nga veglat e tyre.[cxxviii]
Në një rast tjetër Hoxha saktëson se kjo gjë kishte filluar të ndodhte që nga koha e mbledhjes së Bukureshtit. Hoxha në bisedën që pati në 25 shkurt 1961 me delegacionin kinez që erdhi në Kongresin IV të PPSH tha:
Shtypi sovjetik, duke filluar nga gazeta «Pravda», qysh kur u bë Mbledhja e Bukureshtit nuk flet fare për Shqipërinë, as edhe për lajme ekonomike. Me një fjalë na kanë bërë në këtë drejtim izolim politik.[cxxix]
Por Hoxha në qershor 1960 nuk mendonte për asnjë moment se po prishej me Bashkimin Sovjetik, por me Hrushovin, për të cilin kishte bindjen se do të largohej nga pushteti si shkaktar për prishjen sovjeto-kineze, ashtu siç qe fajësuar Stalini për prishjen sovjeto-jugosllave. Hoxha ishte i vetëdijshëm gjithashtu se edhe prishja me udhëheqjen sovjetike ishte tekefundit një prishje me Bashkimin Sovjetik dhe do të perceptohej si e tillë në Shqipëri. Prandaj ai ishte i preokupuar nga reagimet që do të kishte në udhëheqjen shqiptare dhe donte t’ i shtypte ato në mënyrë që të frenonte një reaksion zinxhir. Ai e dinte se sovjetikët do t’ i nxisnin zërat kundërshtues në udhëheqjen shqiptare, më tepër për t’ i përdorur në debatin e tyre me kinezët. Sado që Hoxha përpiqej që t’ i mbante gjërat nën kontroll, pati incidente të padëshiruara për të, të krijuara ngase ai nuk e kishte njoftuar as Byronë Politike për kursin e ri që kishin marrë marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik.
I tillë ishte incidenti me anëtaren e Byrosë Politike dhe sekretaren e Komitetit Qendror, Belishova, e cila në qershor 1960 gjendej në Kinë, për një vizitë zyrtare. Hoxha nuk e kishte vënë në dijeni Belishovën për krisjen që ishte shkaktuar në marrëdhëniet sovjeto-shqiptare si pasojë e devijimit të Hoxhës nga qëndrimi sovjetik për Kinën. Belishova vërtet ishte politbyroiste por nuk bënte pjesë në klikën brenda udhëheqjes. Kinezët nga ana e tyre menduan ta përdorin vizitën e Belishovës për të testuar udhëheqësit e tjerë shqiptarë dhe biseduan me të për çështjen e konfliktit të tyre me sovjetikët. Kjo gjë ndodhi para fillimit të mbledhjes së Bukureshtit. Belishova u habit nga këto gjëra të cilat po i dëgjonte për herë të parë, çka bëri një përshtypje të keqe tek kinezët, të cilët menduan se Hoxha nuk i kishte pozitat e sigurta në udhëheqje derisa nuk guxonte që këto çështje t’ i bisedonte në Byronë Politike dhe sekretariatin e Komitetit Qendror. Belishova për ato që i thanë kinezët vuri në dijeni ambasadorin sovjetik në Pekin. Hoxha u tërbua krejt se sovjetikët e përdorën këtë ngjarje në mbledhjen e Bukureshtit. Hoxha në 23 qershor do t’ i shkruante Belishovës në një letër që ia çoi me korrier të posaçëm në Pekin:
Më parë në Moskë dhe tani në Bukuresht, sovjetikët i kanë informuar të gjithë delegatët që kanë vajtur në kongresin rumun për mosmarrëveshjet që kanë ata me kinezët. Në këto informacione përmendesh edhe ti në radhën e atyre që ke njoftuar sovjetikët për çfarë të thanë kinezët. Për informatat që ke dhënë ti, sigurisht sovjetikëve u ka ardhur mirë, prandaj ata të mburrin me të madhe, duke e quajtur gjestin tënd «heroik», «parimor» dhe të tjera shprehje të tilla. Ata po të bëjnë dhe do të bëjnë shumë lëvdata. Natyrisht ty nuk duhet të të rritet mendja nga këto lëvdata, se bëhen me qëllime të caktuara.[cxxx]
Ajo që Hoxha i druhej më së tepërmi, që të krijohej përshtypja se udhëheqja shqiptare ishte e përçarë sa i përket regimit ndaj konfliktit sovjeto-kinez, kishte ndodhur. Nervozizmi i Hoxhës sa vinte rritej, çka u duk kur në 28 qershor, ai nisi një tjetër letër me korrier të posaçëm për Belishovën, të cilën ajo duhet ta merrte me të mbërritur në Moskë nga Pekini, ku do të ndalej rrugës për në Shqipëri. Në këtë letër Hoxha shkruante:
Sovjetikët do të bisedojnë me ty, që «të të sqarojnë». Dëgjoji me kujdes, me gjakftohtësi, po mos shfaq asnjë mendim, vetëm thuaju: «Unë s’ jam në korent të zhvillimit të ngjarjeve, prandaj s’ mund të jap asnjë mendim», thuaju se «udhëheqja jonë ka vepruar shumë drejt në Bukuresht dhe unë solidarizohem plotësisht me qëndrimin e Komitetit Qendror të Partisë sonë». Kaq dhe mos u zgjat më tej. Le të shohin ata unitetin e çeliktë të udhëheqjes sonë, drejtësinë e guximin leninist të gjithë vijës sonë dhe të çdo anëtari të udhëheqjes sonë. Kështu të veprosh për këtë çështje kaq të madhe dhe delikate. Një këshillë vetëm të jap: Çdo fjalë mate mirë dhe sa më pak fjalë, aq më mirë![cxxxi]
Por nuk kishte një qëndrim të Komitetit Qendror të PPSH për këto çështje, me të cilin të solidarizohej Belishova, se Komiteti Qendror as që ishte vënë në në dijeni për këto çështje. Komiteti Qendror do të vihej në dijeni vetëm në 11 korrik 1960, në Plenumi XVII, ku Hoxha do të thoshte:
Ne i themi Komitetit Qendror të na gjykojë nëse kemi vepruar drejt apo jo.[cxxxii]
Kjo sigurisht ishte një pyetje retorike e llojit stalinian, e cila i bëhej një auditori ku mbisundonte frika. Nga 65 veta të pranishëm në sallë, prej të cilëve 43 anëtarë dhe 22 kandidatë, vetëm dy do të guxonin ta kundërshtonin Hoxhën, duke marrë parasysh pasojat e njohura të sjelljes së tyre. Ajo që të bën përshtypje në këtë histori është mënyra e çuditshme se si u sollën sovjetikët me Belishovën. Hrushovi shkruan për këtë në kujtimet:
Në këtë kohë nga Kina, nëpërmjet Bashkimit Sovjetik po kthehej një delegacion shqiptar. Në Komitetin tonë Qendror erdhi një shqiptare, grua shumë e ndershme... 'vëllezërit' i lanë hesapet me të dhe e eliminuan, sepse si një komuniste e sinqertë erdhi tek ne në KQ dhe na tregoi se për çfarë kishin biseduar kinezët me delegacionin shqiptar dhe sesi këta të fundit ishin marrë vesh me ta. Nisur nga naiviteti ynë, sapo e morëm vesh këtë gjë, rendëm tek Mehmet Shehu, që atëherë kurohej te ne në spital. Atij i treguam gjithçka dhe e pyetëm se si ishte e mundur që në Kinë të zhvilloheshin bisedime të tilla. Në të vërtetë Shehu u largua me ngut nga spitali dhe po në atë çast fluturoi drejt Shqipërisë.[cxxxiii]
Është e vërtetë se Belishova e spiunoi Hoxhën tek sovjetikët, por gjithashtu është e vërtetë se sovjetikët nga ana e tyre e spiunuan Belishovën tek Hoxha. Nëse sovjetikët qenë të interesuar që Hoxha të ndeshte në kundërshtime serioze në udhëheqjen shqiptare, ata duhej që të mos e dekonspironin Belishovën por ta nxisnin që në plenumin e ardhshëm të Komitetit Qendror që do të mbahej në korrik, t’ i kërkonte llogari Hoxhës se përse të gjitha këto gjëra qenë bërë pas shpinës së Komitetit Qendror. Përndryshe, duke e dekonspiruar sovjetikët Belishovën, i dhanë Hoxhës një argument që ta shndërronte plenumin e ardhshëm në gjyqin e saj, duke e kritikuar për shkeljen e normave të partisë. Duke dekonspiruar Belishovën sovjetikët eliminuan çdo mundësi që me qëndrimin e saj në Komitetin Qendror të lindte një opozitë ndaj Hoxhës dhe Shehut. Kjo është një tjetër provë se Hrushovi donte prishjen sovjeto-shqiptare.
Një tjetër provë që tregonte se në dinamikë të prishjes sovjeto-shqiptare qenë sovjetikët ishte një ngjarje që ndodhi pikërisht në atë kohë. Në 28 qershor në gazetën greke «To Vima» u botua interviste e kreut të një prej partive të majta greke, Sofokli Venizellos, i cili në 5 qershor të atij viti ishte takuar me Hrushovin në Moskë. Venizellos bëri të ditur se i kishte kërkuar Hrushovit që të bënte ndërmjetësin me Tiranën, ashtu që kjo të njihte autonominë e «Vorio-Epirit». Sipas Venizellos Hrushovi mori përsipër që këto gjëra t’ ia bënte të ditur Hoxhës kur të takoheshin gjatë atij muaji në Bukuresht. Nga Moska nuk pati përgënjeshtrim zyrtar. Por dhjetë ditë më vonë, ambasadori sovjetik në Shqipëri do të takonte Hoxhën dhe do t’ i jepte versionin e palës sovjetike për çështjen. Për këtë Hoxha do të shkruante në ditar, në 8 korrik 1960:
Prita ambasadorin sovjetik, Ivanov, i cili më informoi rreth bisedës që kishte pasur Hrushovi me Sofokli Venizellosin. Gjatë kësaj bisede ky i kishte propozuar Hrushovit se, për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë, duhet që minoritetit grek në Shqipëri t’ i jepet autonomi. Hrushovi, në mes të tjerash, i ishte përgjigjur Venizellosit, duke i thënë se dëshirën dhe propozimin e tij do t’ ua transmetonte «shokëve shqiptarë», pse me ta do të takohej në Bukuresht etj.
I thashë Ivanovit se e kundërshtoja qëndrimin që ka mbajtur Hrushovi, se nuk jam fare dakord me përgjigjen që ai i ka dhënë Venizellosit dhe e konsideroj si një përgjigje jo të një miku të Shqipërisë dhe aspak të përshtatshme për postin e lartë që ka Hrushovi.[cxxxiv]
Qëndrimi i Hrushovit nuk mund të interpretohej ndryshe përveçse që për të Shqipëria ishte praktikisht jashtë Traktatit të Varshavës. Ç’ përfundim tjetër mund të nxirrej kur udhëheqësi sovjetik vihej në pozitën e mediatorit mes Greqisë, një vendi të NATO dhe Shqipërisë, një vendi të Traktatit të Varshavës, për një çështje që prekte integritetin territorial të Shqipërisë, të cilin Bashkimi Sovjetik si aleat në Traktatin e Varshavës, ishte angazhuar që ta mbronte. Hoxha në fjalimin e vet në mbledhjen e partive komuniste e punëtore të botës, në Moskë, në nëntor 1960, do të thoshte për këtë çështje:
Ne nuk mund të jemi kurrsesi dakord me shokun Hrushov, dhe këtë protestë ia bëmë atij në kohën e duhur, për bisedimet që ai pati me Sofokli Venizellosin në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri. Shoku Hrushov e di se kufijtë e Shqipërisë janë të paprekshëm dhe të shenjtë; kush i prek ata është agresor. Populli shqiptar do të derdhë gjak po t’ ia prekë kush kufijtë. Shoku Hrushov gaboi rëndë kur i tha Venizellosit se ai pa në Korçë grekët dhe shqiptarët që punonin si vëllezër. Në Korçë s’ ka fije minoriteti grek, por ka lakmi shekullore të grekëve për krahinën e Korçës, si për gjithë Shqipërinë. Një minoritet shumë të vogël grek ka në Gjirokastër. Shoku Hrushov e di se ata kanë të gjitha të drejtat, kanë gjuhën greke, shkollat greke dhe veç këtyre po ato të drejta që kanë edhe nënshtetasit e tjerë shqiptarë.
Rivendikimet e grekëve, midis të cilëve edhe të Sofokli Venizellosit, birit të Elefter Venizellosit, vrasësit të shqiptarëve, djegësit të krahinave shqiptare të Jugut, shovinistit më të tërbuar grek dhe babait të megaliidhesë greke, të coptimit të Shqipërisë dhe të aneksimit të saj nën parullën e autonomisë, janë të njohura fare mirë. Shoku Hrushov e njeh fare mirë qëndrimin e Partisë së Punës të Shqipërisë, të Qeverisë Shqiptare dhe të popullit shqiptar për këtë çështje. Atëherë të mos i përgjigjesh, siç e meriton, t’ i lesh shpresa e iluzione dhe t’ i thuash se do t’ ua transmetoj shokëve shqiptarë dëshirat e një agjenti anglez, të një shovinisti, të një armiku të komunizmit dhe të Shqipërisë, kjo është e papranueshme nga ne dhe është e dënueshme.[cxxxv]
Por ky fjalim i Hoxhës do të publikohej vetëm 10 vjet më vonë, në 1970. Qëndrimi i mësipërm i Hrushovit do të thoshte se Shqipëria nuk mund të mbështetej më tek Bashkimi Sovjetik, për të përballuar rrezikun që i vinte nga Greqia, dhe që ishte rreziku kryesor për të në atë kohë, derisa Greqia vazhdonte të ruante gjendjen e luftës me Shqipërinë, si dhe kishte rivendikime territoriale. Hrushovi me qëndrimin e tij të ri synonte të bënte diversion politik në Greqi, ashtu që ta bënte të majtën greke jokomuniste që të afrohej me Bashkimin Sovjetik. Qëndrimi i ri i Hrushovit për çështjen e minoritetit grek në Shqipëri ngre pyetjen se kush e ka frenuar Greqinë që të sulmojë Shqipërinë që prej vitit 1960. Është e qartë se këtë gjë e kanë bërë SHBA.
Tirana reagoi publikisht ndaj intervistës së Venizellos, por pa e përmendur publikisht Hrushovin, çka gjithsesi i dha të kuptojë botës se marrëdhëniet sovjeto-shqiptare qenë çarë seriozisht. Hoxha tha në fjalimin e vet në mbledhjen e Moskës, në nëntor 1960:
Ne ia dhamë përgjigjen Sofokli Venizellosit, shoku Hrushov, dhe me anën e shtypit besojmë se ke marrë dijeni. Ne s’ jemi në kundërshtim të bëni politikë me Sofokli Venizellosin, por me kufijtë dhe të drejtat tona duhet të mos bëni politikë, pse ne as kemi lejuar, as do të lejojmë. Dhe për këtë nuk jemi nacionalistë, por internacionalistë.[cxxxvi]
Por të bën përshtypje fakti se Hoxha në takimin e 12 nëntorit të atij viti me Hrushovin në Moskë, nuk del ta ketë diskutuar këtë çështje. Sovjetikët në atë kohë duket se qenë të prirur që të bënin veprime të cilat do ta nxitnin Tiranën që t’ i adresonte Moskës prostestë zyrtare, çka edhe ndodhi dhjetë ditë pas botimit të intervistës së Venizellos. Në 9 korrik 1960 Hoxha i dërgoi një notë verbale ambasadorit sovjetik në Tiranë, ku protestonte për faktin që në në mitingun e mbajtur në 4 korrik 1960, në Sremska Mitrovica të Jugosllavisë, ku Aleksandër Rankoviç atakoi regjimin e Hoxhës, morën pjesë dhe ambasadori sovjetik në Beograd dhe atasheu ushtarak sovjetik, të cilët nuk u larguan kur udhëheqësi jugosllav atakoi regjimin e Hoxhës.[cxxxvii]
Është interesante se edhe ky dokument nuk u publikua në atë kohë, por vetëm në 1975.
6.
Enigma e madhe e grurit; Perëndimi e shpëtoi regjimin e Enver Hoxhës në 1960: «Ju kërkuam 50 mijë ton drithë, 45 ditë pritëm, por përgjigje nuk morëm. Blemë në Francë me valutë të lirë».
Të gjitha regjimet komuniste kishin një supersticion për bukën, që vinte prej faktit që përmbysja e regjimit të vjetër të carit në fillim të vitit 1917, çka i hapi rrugën fitores së bolshevikëve, erdhi për shkak të kaosit dhe revoltës që u shkaktua nga mungesa e bukës. Bolshevikët qenë të vetëdijshëm për këtë gjë. Ata e panë me sytë e tyre se si njerëzit e nënshtruar e të trembur shndërroheshin në bisha të tërbuara nga uria totale, kur ata nuk kishin mundësi të merrnin as një racion minimal buke, sa për të mbajtur veten gjallë. Bolshevikët panë se si uria ishte ajo që zhdukte instinktin e vetëruajtjes, tek ekzistenca e të cilit bazohej frika e kultivuar nga një regjim despotik represiv. Kjo uri masive i bashkonte njerëzit në turma dhe këto turma i shndërronte në forca sulmuese të tmerrshme, të cilat e fshinin tutje çdo lloj shteti despotik. Veçanërisht të frikshme qenë këto turma në qytete. Nëse në fshatra këto turma destruktive mund të izoloheshin në një territor të caktuar dhe të liheshin të treteshin nga vdekja, siç ndodhi në Ukrainë dhe Kaukazin Verior në fillim të viteve tridhjetë, në qytete dhe në kryeqytet forca e tyre ishte e tmerrshme e papëmbajtshme. Regjimi komunist nuk mund të përmbante forcën e turmave të uritura të banorëve të qyteteve, nuk mund t’ i izolonte ato dhe t’ i linte të treteshin e të vdisnin rrugëve. Edhe sikur të kishte mundësi ta bënte këtë kjo do të thoshte që regjimi të vetëshkatërrohej. Turmat e uritura që sulmonin dyqanet nuk mund të ndaleshin veçse duke u grirë me mitraloza, por kjo nuk ishte zgjidhje se të uriturit do të sulmonin përsëri.
Supersticioni i bukës e bëri regjimin bolshevik që edhe pse nuk e kishin për gjë që ta mbanin popullin në një nivel jetese mizerabël, me mungesa të mëdha ushqimore, të kujdeseshin që të mos kalohej ai kufi pas të cilit uria bëhet e tillë sa njeriu humb instinktin e vetëruajtjes, kur frika zhduket krejt. Supersticioni Bolshevik i bukës është për mendimin tim shkaku kryesor ndonëse pjesërisht i pavetëdijshëm që Stalini bëri kolektivizimin e përshpejtuar të bujqësisë në vitet 1930-1931. Me shumë gjasë, ndihma më decizive që SHBA dhe Britania e Madhe i dhanë Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk qenë armët (Stalini nuk e kishte problem gjakun sovjetik të derdhur dhe ai po të kishte më pak armë do të fitonte me 3-4 milion sovjetikë të vrarë më tepër), por qenë ushqimet të cilat parandaluan që regjimi stalinian, i cili në 1941 kishte humbur kontrollin e tokave më të rëndësishme bujqësore sovjetike, të mos binte pre e kaosit të shkaktuar nga mungesa e ushqimeve dhe revolta e pashmangshme e popullsisë, që do ta rikthente vendin në ditët e shkurt-marsit 1917, kur turmat e uritura do të sulmonin dyqanet dhe depot e ushqimeve.
Hoxha e kishte gjithashtu supersticionin e bukës shumë të zhvilluar. Ai deri në fund të jetës do të fliste për sigurimin e bukës në vend dhe këtu e kishte hallin që të sigurohej se nuk do të krijohej një situatë kur mungesa e bukës do të çlironte atë forcë nga populli që do ta zhdukte regjimin e tij. Me perspektivën imediate të një rreziku të tillë Hoxha do të ballafaqohej në verën e vitit 1960. Hoxha do të thoshte në fjalimin e vet në mbledhjen e Moskës të partive komuniste e punëtore të botës, në nëntor të atij viti:
Sivjet në vendin tonë na kanë ngjarë shumë fatkeqësi të natyrës. Tërmet i madh ra te ne, në tetor pati përmbytje, por sidomos thatësira ka qenë e tmerrshme, 120 ditë vazhdimisht nuk ra një pikë shi. Gati i gjithë drithi u dogj. Popullin e kërcënonte uria. Rezervat shumë të pakta u konsumuan. Qeveria jonë i kërkoi të blinte me urgjencë bukë Bashkimit Sovjetik, duke i shpjeguar situatën shumë të rëndë. Kjo ngjau pas Mbledhjes së Bukureshtit. Ne pritëm 45 ditë përgjigje nga qeveria sovjetike, kurse për popullin kishim vetëm 15 ditë bukë. Pas 45 ditësh dhe pas disa kërkesave të përsëritura zyrtare, qeveria sovjetike, nga 50 mijë tonë që i kërkuam, na akordoi vetëm 10 mijë tonë, që do të thotë 15 ditë bukë, dhe këtë sasi do të na e livronte në muajt shtator-tetor. Ky ishte presion i hapur mbi Partinë tonë për t’ iu përulur vullnetit të shokëve sovjetikë.[cxxxviii]
Auditori i përbërë nga gotha e komunizmit ndërkombëtar, i cili e njihte supersticionin komunist për bukën, e kuptonte mirë se për çfarë bëhej fjalë. Hrushovi kishte përdorur kundër Hoxhës armën supersticioze, atë nga efekti i së cilës trembeshin për vdekje komunistët në pushtet. Hrushovi sigurisht që ishte i vetëdijshëm se çfarë arme kishte përdorur ndaj Hoxhës. Nuk mund të kishte kurrfarë dyshimi se Hrushovi me këtë veprim llogariste që kriza ushqimore të çonte në rënien nga pushteti të Hoxhës dhe të Shehut. Dhe në verën e vitit 1960 Hoxha mendoi se do të ndodhte pikërisht kështu. Vera e vitit 1960 ishte një nga stinët më të tmerrshme të urisë në historinë e regjimit të Hoxhës, e krahasueshme me urinë e madhe të viteve 1946-1947.
Derisa Hoxha thotë më lart se pas mbledhjes së Bukureshtit, pra në korrik, kur i kërkuan drithë Bashkimit Sovjetik, vendi kishte edhe 15 ditë rezerva drithi për bukë, dhe pritën 45 ditë ditë më kot ardhjen e drithit sovjetik, kjo do të thotë se në korrik-gusht 1960 racioni i bukës për popullsinë ka qenë e shumta sa një e treta e racionit normal, që nuk ka qenë i lartë po të mendosh se buka zinte peshën kryesore në ushqimin ditor të popullsisë. Në 1960 u konsumuan 215.3 kg drithra buke për frymë,[cxxxix] do të thotë rreth 600 gram për person. Regjimi i Hoxhës me siguri që do të kishte rënë në vjeshtën e vitit 1960, sikur atë të mos e kishte shpëtuar… Perëndimi. Në takimin që delegacioni shqiptar i kryesuar nga Hoxha pati me sovjetikët në 10 nëntor, në Moskë, u bë ky ky dialog mes Hoxhës dhe Mikojanit për çështjen e drithit:
SHOKU ENVER HOXHA: Këtë vit ne kemi qenë keq për bukë nga kushtet shumë të rënda natyrore. Kishim bukë vetëm për 15 ditë. Ju kërkuam 50 mijë ton drithë, 45 ditë pritëm, por përgjigje nuk morëm. Blemë në Francë me valutë të lirë. Tregtari francez erdhi menjëherë në Shqipëri për të matur pulsin. Ai tha se «si është e mundur një gjë e tillë, Shqipëria s’ ka blerë bukë në vendet perëndimore, Bashkimi Sovjetik shet drithë kudo?» Ne për të zhdukur dyshimet e tij, i thamë se «Bashkimi Sovjetik na ka dhënë misër, por ne e përdorim për ushqimin e derrave». Ne e dimë ku shitni ju drithë, ku shesin rumunët, gjermanët, në Angli e gjetkë. Ju na vutë kushte dhe ne u detyruam t’ ju ofrojmë flori për të blerë drithin që na duhej.
A. MIKOJANI: Ne nuk kemi refuzuar t’ ju japim juve drithë. Unë di se juve ju është dërguar çdo muaj drithë me vapor. Ju u propozuat njerëzve tanë të blini me ar, ata e pranuan. Ç’ na duhet valuta juaj?[cxl]
Tregtari francez që i shiti drithë Shqipërisë në 1960 ishte privat, por ky veprim tregtar i pazakonshëm bërë nga një vend përtej Perdes së Hekurt nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e qeverisë franceze dhe shërbimeve të specializuara të saj, por edhe të SHBA në mënyrë të posaçme. Kjo kuptohet nga fakti që tregtari francez bëri një pyetje aspak tregtare, por politike. Ai sigurisht që ishte udhëzuar nga qeveria franceze që ta bënte këtë pyetje. Kur një vend si Shqipëria blinte me urgjencë drithë në Francë, duke paguar me ar, në këtë rast nuk duhej që qendrat relevante në Francë dhe SHBA të mendoheshin shumë për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Ishte e qartë se Shqipëria gjendej në prag të një krize ushqimore që mund të çonte në rënien e regjimit komunist në vend. Operacioni tregtar për shitjen e drithit Shqipërisë në këtë rast fitonte vlerën e një operacioni për shpëtimin e regjimit të Hoxhës. Sado që Hoxha po e paguante drithin e blerë në Francë me ar, ai po e paguante atë shumë lirë, se ky drithë me të cilin regjimi do të kalonte vitin e vështirë 1960, do të vlente në fakt për ta ushqyer Leviathan-in komunist, regjimin e Hoxhës, për 30 vitet në vazhdim të ekzistencës së tij.
Për herë të parë që nga fillimi i Luftës së Ftohtë, Perëndimi pa një regjim komunist të gjendur në prag të shembjes së tij të sigurt dhe që të ndodhte kjo Perëndimi nuk duhej që të bënte gjë tjetër veçse të ndalonte një operacion tregtar. Nëse SHBA e detyronin Francën që ta ndalonte këtë operacion tregtar, qoftë edhe duke e blerë CIA grurin e destinuar për Shqipërinë, regjimi i Hoxhës do të binte në vjeshtën e vitit 1960. Ky operacion për rrëzimin e regjimit të Hoxhës do të ishte shumë më i thjeshtë dhe më pak i kushtueshëm se operacioni i dështuar diversionist që kishte ndërmarrë Perëndimi në vitet 1949-1953 për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri. Në momentin që regjimi i Hoxhës do të shembej, Perëndimi ishte i justifikuar që ndërmerrte një operacion humanitar në Shqipëri të mbështetur nga ushtritë e NATO, për të shpëtuar qindra mijë shqiptarë prej vdekjes së sigurt nga uria. Bashkimi Sovjetik nuk mund të bënte asnjë kundërshtim serioz në këtë rast. Vlera propagandistike për Perëndimin e rrëzimit të një regjimi komunist për shkak se e kishte çuar vendin në një katastrofë humanitare, do të ishte e jashtëzakonshme. Edhe sikur në Shqipëri të kishte pasur disa të vdekur nga uria në kohën e rënies së regjimit, ata do të qenë shumë më pak se viktimat që shkatoi regjimi komunist në tre dekadat e tjera të ekzistencës së tij.
Fakti që Perëndimi e shpëtoi regjimin e Hoxhës në vjeshtën e vitit 1960 është ndoshta enigma më e madhe e sundimit të Hoxhës, midis enigmave të tjera. Madje në një sens të caktuar kjo mund të jetë enigma më e madhe e Luftës së Ftohtë, zbulimi i së cilës do të kishte vlerën e asaj falangës së vetme të dinozaurit që gjen antropologu dhe mbi bazën e së cilës pastaj ndërton krejt skeletin gjigand. «Skeleti i dinozaurit» që ndërtohet në këtë rast është se SHBA nuk donin që rënia e regjimeve komuniste në Europë të fillonte aq herët se kishin një agjendë, sipas së cilës rënia e parakohshme e regjimeve komuniste qe e padëshiruar, pasi tekefundit rreziku komunist ishte ai që e kishte mbajtur ushtrinë amerikane në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe që e kishte mbajtur Europën Perëndimore nën influencën amerikane.
Hoxha sigurisht që nxorri përfundimet e tij nga afera e grurit. Së pari, Hoxha e kuptoi se Hrushovi tashmë nuk e donte vetëm atë të larguar nga pushteti, por e donte edhe regjimin komunist në Shqipëri të rrëzuar për t’ u dhënë një mësim atyre vendeve që do të mbështesnin Kinën dhe në radhë të parë vendeve komuniste aziatike, Koresë së Veriut dhe Vietnamit. Hrushovi donte t’ i tregonte botës komuniste se çfarë i ndodhte një vendi që shkëputej nga Bashkimi Sovjetik dhe ndiqte pas Kinën. Së dyti, Hoxha e kuptoi se nuk duhet të priste ndonjë ndihmë të madhe nga Kina. Kjo i kishte dhënë 20 mijë ton drithë në pranverë, por nuk kishte qenë e gatshme t’ i ofronte 50 mijë ton të tjera drithë në verë. Me sa duket kinezët nuk e morën për të vërtetë lutjen alarmante që u bëri Hoxha dhe e quajtën një gënjeshtër të aleatit të ri që bëhej për të shkëputur sa më shumë ndihma nga Kina. Në Pekin menduan se Hoxha nuk duhej përkëdhelur shumë dhe duhej bërë qetash të kuptonte se ndihma kineze nuk do të ishte e pakufizuar. Së treti, Hoxha e kuptoi se Perëndimi nuk donte seriozisht që ta rrëzonte regjimin e tij. Në rast se do të kishte dashur që ta bënte, ky do të ishte rasti më i përshtatshëm. Pra, Hoxha kuptoi se ai nuk duhej të kishte frikë nga një agresion ushtarak nga Perëndimi, përveçse në rast se do të krijohej një situatë si ajo e luftës në Kore. Së katërti, Hoxha e kuptoi se SHBA do ta frenonin Greqinë, ashtu që të mos e përmbyste regjimin e tij me asnjë mënyrë, e para së gjithash me invadim ushtarak. Hoxha e merrte me mend se Greqia e kishte mësuar që ai kishte kërkuar të blinte drithë në Francë dhe sigurisht që kishte menduar ta pengonte këtë operacion tregtar, qoftë edhe duke e ofruar çmim më të lartë për të blerë grurin, në mënyrë që regjimi i Hoxhës të përmbysej në një krizë humanitare dhe Greqia të gjente rastin për të ndërhyrë në Shqipëri.
Vera e vitit 1960 ishte kështu një stinë politike shumë instruktive për Hoxhën. Është interesante se megjithë këtë situatë emergjente, Hoxha e kaloi me pushime një pjesë të madhe të verës së vitit 1960, madje periudhën më delikate atë kohës së korrjes së drithrave. Atë vit Hoxha nuk do të shkonte me pushime në Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste, siç bënte zakonisht, por do të pushonte në Shqipëri. Në 18 korrik 1960 ai shkruan në ditar:
Pushim në Malin e Dajtit[cxli]
Nga 18 korriku deri në 17 gusht 1960, Hoxha ishte më shumë në Dajt, me pushime, por edhe në Durrës. Në 17 gusht 1960 ai shkruan në ditar:
U ktheva në Tiranë. Mbarova pushimet.[cxlii]
Në kohën që populli shqiptar gjendej në mes të një katastrofe humanitare që po shkallëzohej frikshëm, në Shqipëri vinin për pushime udhëheqës komunistë perëndimorë, të cilët Hoxha i priste ashtu siç nuk kishte bërë asnjë shtetar shqiptar kolaboracionist i pushtuesve fashistë. Në 21 korrik 1960 Hoxha shkruan në ditar për ardhjen në Shqipëri të udhëheqësit komunist francez, Moris Thores (Torez):
Sonte në orën 12 të natës shkuam në Portin e Durrësit dhe pritëm Moris Torezin, sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Franceze dhe të shoqen, Zhanetë Vermersh, anëtare e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Franceze, së bashku me djalin e vogël të tyre Pier Torezin. Erdhën nga Italia për të pushuar në vendin tonë. Ishin shumë të gëzuar, i shoqëruam në vilën e Durrësit.[cxliii]
Torez kishte ardhur për një vizitë private, jo për një vizitë zyrtare nga pikëpamja e rregullave të komunizmit ndërkombëtar, prandaj ishte krejt e tepërt që vetë Hoxha të dilte e ta priste në port, aq më tepër në mesnatë. Ja tek ishte ai, Moris Thores, udhëheqësi legjendar i komunistëve francezë, që në Francë shtirej si proletar dhe që në Shqipëri vinte të pushonte në vilën e ish-mbretit Zog në Durrës. Derisa Hoxha më lart thotë «vilën» dhe jo «një nga vilat» nënkuptohet se është fjala për vilën e ish-mbretit Zog në Durrës. Moris Thores do të qëndronte në Shqipëri nga 21 korriku në 9 gusht dhe sigurisht që ai dhe familja e tij mbetën shumë të kënaqur nga pritja dhe trajtimi që ia bë. Vetëm kur Thores dëgjoi Hoxhën në mbledhjen e Moskës tre muaj më pas e mësoi se ndërsa vogëlushi Thores hante ushqimet më të zgjedhura të shërbyera nga mikpritësit shqiptarë, bashkëmoshatarët e tij shqiptarë vuanin nga uria e madhe. Moris Thores nuk u kërkoi falje shqiptarëve për fjalët idiote që kishte thënë publikisht gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në verën e urisë së madhe.
Në verën ankthshme të vitit 1960 sovjetikët do ta largonin fare ambasadorin e tyre nga Shqipëria. Hoxha shkruan në ditar në 16 gusht 1960:
Ambasadori sovjetik Ivanov u largua nga Tirana. U qërua një njeri i poshtër.[cxliv] Nga mënyra se si shkruan Hoxha kuptohet se ambasadori sovjetik nuk ka shkuar as për t’ i bërë Hoxhës vizitën e kortezisë para largimit. Ambasadori Ivanov do të ishte ai që Hoxha urrente më tepër ndër të gjithë ambasadorët apo ministrat fuqiplotë sovjetikë që kishin qenë në Shqipëri. E pra, ai kishte qenë më antistalinisti ndër të gjithë diplomatët sovjetikë që kishin ardhur në Shqipëri, qëkurse erdhi Hrushovi në pushtet. Takimi i fundit i Hoxhës me ambasadorin Ivanov, sipas ditarit të tij, ishte tre javë para largimit, kur ambasadori sovjetik shkoi t’ i jepte Hoxhës një njoftim që kishte ngjyrim cinik. Hoxha shkruan në ditar, në 22 korrik:
Në takimin që pata sot me ambasadorin sovjetik Ivanov, ky më dha disa informacione dhe kopjen e një letre që Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik i ka drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, me të cilën njofton këtë të fundit për tërheqjen nga Kina të specialistëve sovjetikë... Ivanovit nuk ia zgjata, por i thashë se një veprim i tillë s’ është i mirë. «Duhet vepruar me gjakftohtësi, në mes miqve dhe shokëve duhet mirëkuptim, i thashë».[cxlv]
Sovjetikët e dinin që Hoxha do të njoftonte saora kinezët për këtë njoftim që ata i kishin bërë atij, prandaj e kishin informuar kinezët. Me këtë sovjetikët donin t’ u thoshin tërthorazi kinezëve se aq u bënte për Shqipërinë dhe se tashmë atë ua kishin falur atyre që ta gëzonin, me gjithë çmimin që ajo kishte.
Gjatë krizës së madhe ushqimore të vitit 1960 nuk u vunë në dijeni dhe as u angazhuan Byroja Politike dhe Komiteti Qendror, të cilët supozoheshin të merrnin vendimet më të rëndësishme. Gjithçka që u bë u vendos nga Hoxha së bashku me Shehun. Populli e përjetoi dhe e perceptoi krizën, por nuk u informua për përmasat e saj dhe për rrezikun që i kërcënohej. Ai ishte thjesht peng i diktatorit dhe i vicediktatorit. Në verën e vitit 1960 vendi u gjend në një katastrofë humanitare të tillë që nuk ishte përjetuar as në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Gjatë urisë së madhe të verës së vitit 1960 pati shumë vdekje nga uria, por ato mbetën të fshehura nga eksplozioni demografik që kishte vendi në atë periudhë, një fenomen i ngjashëm ky edhe në vendet e tjera të varfra. Duhet një studim demografik për të zbuluar vdekjet nga uria në këtë periudhë, por edhe kjo vështirë se do të nxirrte përmasat e vërteta të atij që mund të quhet krim shtetëror. Tashmë është vërtetuar se shumë të vdekur gjatë regjimit komunist nuk çregjistroheshin, ndoshta për faktin se regjimi i pëlqente shifrat fiktive edhe në demografi, ku shifrat e larta të rritjes qenë një ekspedient i propagandës së regjimit.
7.
Gjuetia maoiste e “harabelave” në udhëheqjen shqiptare
Kur Hoxha informoi në korrik 1960 Komitetin Qendror për konfliktin që ishte krijuar me Bashkimin Sovjetik, ai ishte i përgatitur që të shtypte me dhunë çdo kundërshtim që mund të vinte nga brenda udhëheqjes shqiptare, Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror, si dhe në vazhdim në radhët e oficerëve të ushtrisë, Sigurimit të Shtetit, në radhët e aparatit partiak, administratës etj. Hoxha priste që në Shqipëri të ndodhte diçka e ngjashme si në Jugosllavi, ku në kohën e prishjes sovjeto-jugosllave, në 1948, pati një reaksion të madh të prosovjetikëve kundër Titos, aq sa ky i fundit u detyrua që të arrestonte dhjetëra mijëra mijëra informbyroistë, të cilët i çoi nëpër kampe përqëndrimi, ku mijëra prej tyre vdiqën në një mënyrë apo në një tjetër. Prandaj Hoxha në verën e vitit 1960 u përgatit për të bërë një spastrim të madh, nëse ishte e nevojshme. Derisa këtë herë rreziku pritej të vinte nga radhët e vetë klasës së re sunduese e regjimit, nomenklaturës së pushtetshme, atëherë Hoxha vendosi të përdorë popullin për t’ ia kundërvënë asaj, ashtu siç do të bënte Mao Ce Dun pak vite më pas, në Revolucionin Kulturor. Në 30 qershor 1960 disa ditë pas përfundit të mbledhjes së Bukureshtit Hoxha u çoi një «Letër komiteteve të Partisë në rrethe», ku shkruante:
Letrat e popullit tregojnë lidhjet e tij të ngushta e të sinqerta me Partinë. Kush e frenon një veprimtari të tillë, ai duhet dënuar rreptë.[cxlvi]
Ky ishte një kërcënim ndaj nomenklaturës së pushtetshme të regjimit. Në letrat që populli i çonte atij personalisht, Hoxhës, dhe që shpesh qenë anonime, denoncoheshin abuzimet me pushtetin të njerëzve të nomenklaturës në provincë dhe në qendër, përfitimet e tyre të kundërligjshme për vete dhe të afërmit, skandalet që nuk bëheshin publike se mungonte media e lirë. Hoxha i regjistronte këto fakte dhe i përdorte kur donte të eliminonte njerëz të caktuar të pushtetshëm në qendër dhe provinca. Ai e dinte se shpesh këto letra zhdukeshin nga dora e klaneve burokratike në provincë dhe në Tiranë, të cilët kontrollonin korrespondencën në zyrat postare për të ndaluar që në adresë të Hoxhës të shkonin këto lloj letrash denoncuese për ta. Prandaj Hoxha paralajmëroi në mënyrë kërcënuese nomenklaturën sunduese që të mos cenonin këtë kanal komunikimi të udhëheqësit me popullin. Ky paralajmërim kërcënues u adresohej të gjithëve, që nga politbyroistët tek drejtuesit vendorë të partisë dhe organeve të tjera të regjimit. Ata duhet të jetonin me ankthin e dosjeve të cilat qenë hapur për ta në zyrat e kancelarisë personale të Hoxhës, dhe që mbusheshin me informacionin e ardhur nga letrat e popullit. Ky informacion përpunohej, verifikohej, plotësohej dhe arkivohej, duke përbërë kështu një akt-akuzë të fjetur për çdo zyrtar të regjimit. Dosja mund të aktivizohej në çdo kohë që i konvenonte diktatorit.
Në prag të bërjes publike të prishjes me Bashkimin Sovjetik, një vit më pas, në 1 korrik 1961, Hoxha do të thoshte në Plenumin II të Komitetit Qendror:
Mua më vijnë shumë letra nga populli dhe i lexoj ato përditë çdo mëngjes, para se të filloj nga puna.[cxlvii]
Kumti ishte i qartë për të gjithë. Për popullin, që të nxitej të shkruante më tepër letra, dhe për nomenklaturën sunduese që të jetonte me frikën e popullit, të cilën në anën tjetër duhet ta mbante nën kontroll për llogari të diktatorit. Kështu i kundërbalanconte Hoxha dy forcat me të cilat përballej në realitetin shqiptar. Por reagimi prosovjetik në Shqipëri ishte shumë më i vogël nga ç’ priste Hoxha. Nga Komiteti Qendror nuk dolën veçse dy zëra kundërshtues; përveç Belishovës tjetri ishte Koço Tashko, miku i vjetër i Hoxhës. Me Koço Tashkon Hoxha do të kishte një bisedë në 3 gusht 1960, ku do të shkëlqente me talentin e tij si komedian:
SHOKU ENVER: Ti mbrëmë i the Hysniut se, po të kishe folur në Plenum, do të shkaktoje përçarje, kurse mua këtu po më thua se, pot ë kishe folur, «do të hidheshin në grykë»… Kërkoj përsëri të na thuash, ç’ është ai mendim që i shprehe Hysniut se fjala jote do të shkaktonte përçarje?
KOÇO TASHKO: Unë thashë që shokët e Komitetit Qendror të mos mendonin se unë po ju bëja kritikë juve.
SHOKU ENVER: Mendon ti kështu dhe jo shokët e Plenumit, të cilët e kuptojnë drejt kritikën. Pastaj, pse të mos më bësh edhe mua kritikë? Na thuaj ç’ është Komiteti Qendror dhe ç’ jam unë? Unë jam një anëtar partie, një ushtar i Partisë. Mbi mua është Byroja Politike, mbi Byronë Politike është Komiteti Qendror, mbi të cilin është Kongresi i Partisë. Atëherë, përse ti preferon të bisedosh vetëm për vetëm me mua dhe jo me Komitetin Qendror që është forumi udhëheqës i Partisë, ndërsa unë jam një anëtar i Komitetit Qendror. Nesër ti përsëri në Komitetin Qendror do të vesh të japësh japësh shpjegime për këto pikëpamje.
KOÇO TASHKO: Po ka edhe gjëra që njeriu duhet t’ i bisedojë pak më mbyllur.
SHOKU ENVER: Me sa duket ti nuk ke kuptim të drejtë për Komitetin Qendror. Ç’ ka këtu për të diskutuar në mënyrë të mbyllur? Përse t’ i diskutojmë gjërat në mënyrë të mbyllur, për ç’ arsye?[cxlviii]
Hoxha po e kritikonte Koço Tashkon se kishte bërë pikërisht atë gjë të cilën vetë Hoxha pohoi se e kishte bërë në Plenumin e korrikut, pra se Komiteti Qendror, madje dhe Byroja Politike, pa folur për kongresin e partisë, i cili ende vazhdonte të shtyhej në kundërshtim me statutin, qenë injoruar kur ishte fjala për një çështje kaq të rëndësishme sa ç’ ishte ajo e konfliktit me udhëheqjen sovjetike. Ashtu si Tito në 1948, Hoxha tash donte që të ndërpriste çdo kanal komunikimi të sovjetikëve me udhëheqjen shqiptare jashtë kontrollit të tij. Midis tij dhe Koço Tashkos u shkëmbyen këto fjalë:
SHOKU ENVER: Nuk të pyetën sovjetikët me të cilët u takove, si shkoi Plenumi?
KOÇO TASHKO (Heziton të flasë), pastaj thotë: Mund të më kenë pyetur…
SHOKU ENVER: Fol hapur, the gjë për Plenumin? Nuk të pyeti Ivanovi si u diskutuan këto çështje në Plenum? Përsëri po të pyes, të ka pyetur Ivanovi si u diskutuan këto çështje në Plenum? Ta bëri një pyetje të tillë?[cxlix]
Hoxha, në kohën që po eliminonte ata që kundërshtuan qëndrimin e tij të ri ndaj Moskës, kërkonte të krijonte përshtypjen se edhe pse ai po e përdorte konfliktin sovjeto-kinez, megjithatë dëshironte që tekefundit dy kolosët e komunizmit ndërkombëtar të pajtoheshin mes tyre. Në 27 gusht 1960 Tarasi-Herman, në emër të Komitetit Qendror të PPSH, nisi një letër për Komitetet Qendrore të PK të BS dhe të PK të Kinës, ku u kërkoi që
para mbledhjes së ardhshme të partive komuniste e punëtore do të ishte e arsyeshme dhe e drejtë që të bëheshin përpjekje akoma më të shumta për zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve nëpërmjet bashkëbisedimesh në nivel të lartë midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste të Kinës.[cl]
Nëse Hoxha ua kërkonte këtë gjë Moskës dhe Pekinit, ai brenda partisë së vet nuk ishte aspak për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me bisedime, por me eliminime politike. Tre ditë pas nisjes së kësaj letre, në 30 gusht do të mbahej një mbledhje e Byrosë Politike ku do të avanconte procesi i eliminimit të Belishovës. Në këtë mbledhje Hoxha, nga njëra anë do ta akuzonte Belishovën se kishte intriguar gjoja për ta mbrojtur atë vetë nga kompromentimi në konfliktin sovjeto-kinez, ndërsa në anën tjetër do të pohonte se e kishte nisur Kapon në Bukuresht si kamikaz politik, për të ruajtur vetëveten:
Nga disa të dhëna që kemi mendohet se Liria është dakord me konceptet e ambasadorit sovjetik, i cili midis të tjerave thotë: «Shoku Enver të mos përzihet në mosmarrëveshjet që ka midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës», «shokun Enver ta rezervojmë». Pra ajo është e mendimit që shokun Enver ta rezervojmë, kurse disa shokë të tjerë të Byrosë Politike t’ i sakrifikojmë, sepse mund të ndodhë që mosmarrëveshjet që ekzistojnë midis dy partive të mëdha, Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste të Kinës të sqarohen dhe të zgjidhen. Atëherë, një pjesë e shokëve të Byrosë Politike, që do të angazhohen në debatin që ka lindur, do të digjen, por shoku Enver do të mbetet i pakompromentuar. Po të pranojmë tezën e Lirisë, sipas së cilës «nuk duhet të përzihet Enveri në çështjet që kanë të bëjnë me Partinë Komuniste të BS dhe Partinë Komuniste të Kinës», kjo do të thotë se janë të gabuara qëndrimet e Byrosë Politike në Bukuresht![cli]
Por në rast se qëndrimet e Byrosë Politike (në fakt të klikës brenda saj) në Bukuresht nuk qenë të gabuara, atëherë përse nuk shkoi Hoxha atje? Sipas kësaj logjike, në rast se Belishova e kishte gabim, atëherë e kishte gabim edhe Hoxha! Pas fjalëve të mësipërme, Hoxha avancon, duke shprehur për herë të parë prerë kundërshtimin ndaj Moskës:
Liria duhet të kuptojë mirë esencën e çështjes: ne nuk jemi dakord me qëndrimet e gabuara të udhëheqjes sovjetike.[clii]
Hoxha megjithatë kujdesej që të tregonte se ai ishte në kundërshtim vetëm me Hrushovin dhe nuk e donte prishjen me Bashkimin Sovjetik. Në këtë pikë ai ishte i sinqertë. Por esencën e çështjes, ashtu siç e paraqiste Hoxha, e kishte të vështirë ta kuptonte jo vetëm Belishova, por edhe politbyroistët e tjerë të pranishëm, me përjashtim të Shehut. Politbyroistët dhe më pas anëtarët e Komitetit Qendror, e kishin të vështirë ta kuptonin këtë logjikë. Ata e kishin pranuar prishjen me Jugosllavinë, për shkak se atëherë ishte mbajtur ana e Bashkimit Sovjetik, i cili ishte parë si mbështetës që prej asaj kohe. Por tash prej kujt do të mbështetej Shqipëria? Kjo pyetje sillej në mendjen e të gjithë të pranishmëve, edhe pse kurrkush prej tyre nuk guxonte ta bënte atë në mbledhje. Hoxha nuk mund t’ u thoshte ende atyre se tash e tutje do të mbështeteshin tek Kina, jo vetëm për faktin se ende nga Pekini nuk kishte ardhur garancia se do të mbështeste Shqipërinë, duke i kompensuar ndërprerjen e ndihmës sovjetike, por edhe se Hoxha ende kërkonte t’ i paraqiste gjërat sikur ai nuk ishte prishur me Bashkimin Sovjetik por thjesht me Hrushovin, dhe se marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike do të normalizoheshin në të ardhmen, ashtu siç kishte ndodhur me marrëdhëniet jugosllavo-sovjetike.
Në verën e vitit 1960 Hoxha priste një kumt nga Pekini, me të cilin t’ i jepej garanci se ai do të shpërblehej për investimin e tij në konfliktin sovjeto-kinez. Kjo do të vinte, dhe me këtë edhe momenti vendimtar në marrëdhëniet shqiptaro-kineze, në 1 shtator 1960 kur Hoxha do të merrte një kumt personal nga Mao Ce Duni. Hoxha shkruan për këtë në ditar, në 1 shtator:
Takim me ambasadorin kinez i cili më transmetoi një mesazh nga Mao Ce Duni. Ai më solli përshëndetjet e Maos dhe më falenderoi nga zemra në emër të tij, të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe të popullit kinez për qëndrimin e vendosur, marksist-leninist dhe heroik të Partisë së Punës të Shqipërisë në mbrojtje të Partisë Komuniste të Kinës në Bukuresht. Mao Ce Duni, në emër të Partisë Komuniste të Kinës dhe të popullit kinez, siguron përkrahjen me çdo mënyrë dhe në çdo kohë për popullin vëlla shqiptar dhe për Partinë e Punës të Shqipërisë.[cliii]
Hoxha mori kështu garancinë personale të Mao Ce Dun se Kina do t’ i kompensonte Shqipërisë ndihmat që i kishte ndërprerë Bashkimi Sovjetik. Por sa vlente kjo garanci edhe sikur Mao Ce Dun të kishte vullnetin e mirë për ta mbajtur premtimin. Pesë vjet më parë, Mao Ce Dun kishte thënë:
Duhet që të gjitha kuadrot dhe gjithë populli të kenë vazhdimisht parasysh që vendi ynë është një vend i madh socialist, por njëkohësisht edhe një vend i varfër dhe i prapambetur ekonomikisht. Kjo përbën një kontradiktë të madhe. Që vendi ynë të bëhet i begatshëm dhe i fuqishëm, duhen disa dhjetëra vjet përpjekjesh këmbëngulëse, duke përfshirë këtu edhe zbatimin e orientimit lidhur me dashurinë për punën dhe frymën e kursimit në ndërtimin e vendit, domethënë vendosjen e një regjimi të rreptë kursimi dhe luftën kundër shpenzimeve të kota.[cliv]
Kjo do të thoshte se Kina nuk mund t’ i jepte një ndihmë ekonomike serioze Shqipërisë, pavarësisht se Kina ishte një vend shumë i madh dhe Shqipëria një vend shumë i vogël. Kina mund ta ndihmonte regjimin e Hoxhës që të mbijetonte, por as që bëhej fjalë për të ndihmuar seriozisht për zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë. Por për Hoxhën kaq mjaftonte, derisa i siguronte atij qëndrimin në pushtet. Megjithatë, Mao Ce Dun ishte treguar shumë më luajal se Stalini në 1948. Në 1948, në kohën që Hoxha ishte ftohur me Titon, Stalini nuk i çoi ndonjë kumt të tillë udhëheqësit shqiptar ku t’ i premtonte ndihmë.
Kursi i ri politik u bë veç të tjerash një tregues se Hoxha e drejtonte në të vërtetë vendin me anë të klikës gjirokastrite. Në 1960, kur Kina u ripërmasua në politikën e Hoxhës, ai çoi atje si ambasador njeriun e vet të besuar të klikës gjirokastrite, kushëririn e vet nga Gjirokastra, Reiz Malile. Reiz Malile ishte kunati i Ramiz Alisë, duke qenë se ishte martuar me motrën e Ramiz Alisë (kur vdiq ajo u martua me mbesën e Xhafer Spahiut, i cili ishte kunati i Adil Çarçanit- njeriut tjetër të klikës gjirokastrite).
Për Hoxhën dhe Shehun spastrimi i radhës nuk qe veçse një gjueti “harabelash”, si ajo që bëhej në Kinë. Në Plenumin XVIII të Komitetit Qendror, që filloi në 6 shtator, Hoxha mbajti nga një raport të veçantë për Belishovën dhe Koço Tashkon. Hoxha, ashtu si Stalini, gjithherë tregonte fantazi në dramaturgjinë e eliminimit të viktimave të tij. Sa i përket Belishovës, meqënëse bëhej fjalë për një rast krejt të veçantë, me ndjeshmëri të madhe në nivelin më të lartë të komunizmit ndërkombëtar, Hoxha e kishte konceptuar dramën e spastrimit në mënyrë krejt të veçantë. Hoxha kishte bërë llogari që të ishte bashkëshorti i Belishovës, Maqo Çomo, anëtar i Komitetit Qendror dhe ministri i Bujqësisë, i cilit të denonconte gruan e vet politbyroiste. Maqo Çomo duhej ta bënte këtë se kështu e kërkonte partishmëria, e cila ishte ekuivalenti shqiptar i termit ruso-bolshevik “partiinost”, dhe që do të thoshte bindje e plotë ndaj vijës së partisë të përcaktuar nga udhëheqësi i saj. Denoncimi dhe dënimi i të afërmit ishte shprehja më e sigurt e partishmërisë, që nga udhëheqësit e deri tek anëtarët e thjeshtë të partisë. Hoxha e kishte bërë llogarinë që Maqo Çomo do të bindej ta bënte këtë se kështu do të shpëtonte familjen dhe të afërmit e vet. Por Maqo Çomo nuk pranoi të bënte atë që i kërkoi Hoxha. Në fjalën e mbylljes në Plenumin XVIII, Hoxha tha:
Rëndësi shumë të madhe ka gjithashtu edhe për Lirinë, edhe për Maqo Çomon, që të kuptojnë mirë se çështja e mbrojtjes së vijës së Partisë, në të gjithë aspektet e saj, është jetike për popullin e vendin tonë dhe për komunizmin ndërkombëtar.[clv]
Në një shënim sqarues që është në tekst pas emrit të Maqo Çomos thuhet:
Maqo Çomo, ish-anëtar i KQ të PPSH, bashkëshort i Liri Belishovës, nuk mbajti qëndrim partie ndaj gabimeve të saj.[clvi]
Në plenum u propozua përjashtimi i Belishovës nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror. Hoxha, duke bërë praktikisht dialog me vetveten, derisa ky propozim qe bërë nën influencën e tij, do të thoshte në fjalën e mbylljes:
Përsa i përket vendimit për përjashtimin e saj nga Komiteti Qendror atë ta marrim, se ai është i drejtë, por, me qëllim që t’ i japim edhe një herë dorën, Liria të mbetet anëtare partie dhe Partia do ta ndihmojë të ecë përpara.[clvii]
Hoxha ishte i pakënaqur që nuk ishte arritur dot të bëhej performanca staliniane e spastrimit, ashtu që Belishova të pranonte fajin dhe të bënte autokritikë. Prandaj ai u përpoq t’ i krijonte iluzione Belishovës në mënyrë që kjo të bindej të bënte autokritikë në të ardhmen. Hoxha tha në fjalimin e mbylljes në plenum:
Liria është e re, por Partinë dhe normat e saj i njeh. Çdo njeri mund të gabojë, por Partia e ndihmon, prandaj nëse Liri Belishova do të vazhdojë me pikëpamjen se nuk ka gabuar dhe i gjykon çështjet jo në thellësi, jo ky tha kështu e ai tjetri ashtu, se në procesverbal është shkruar kështu etj., nuk do të veprojë mirë. Çështjet ajo duhet t’ i shohë në esencë, në frymë revolucionare, të drejtë, marksiste-leniniste. Ndryshe përsëri do të gabojë, nuk do të korrigjohet, kurse ne duam dhe do të bëjmë përpjekje që të ndreqet. Prandaj punimet e këtij Plenumi t’ i shërbejnë si një mësim i madh.[clviii]
Në fjalimin e mbylljes në plenum, Hoxha iu kthye edhe një herë çështjes së burrit të Belishovës, duke treguar se i vinte keq që nuk arriti të vinte në skenë dramën e luftës së klasave në një familje të udhëheqjes që kishte përgatitur, por edhe për të paralajmëruar kërcënueshëm të gjithë udhëheqësve që i kishin gratë anëtare ose kandidate të Komitetit Qendror:
Disa nga shokët e Plenumit janë martuar me anëtare të Plenumit të Komitetit Qendror dhe duke i konsideruar ato si shokë të Komitetit Qendror, natyrisht bisedojnë me njëri tjetrin për çështje politike e të tjera. Si të mos bisedoj, fjala vjen, unë me shoqen time Nexhmije për çështje politike? Pra, për çështje të politikës së përgjithshme mund të bisedojmë, se ne dimë të çmojmë çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet biseduar, kurse Liria nuk paska biseduar fare! Si Maqoja, ashtu dhe ajo të mos na thonë këtu se nuk kanë biseduar mbi këto çështje, kjo nuk është e vërtetë. Edhe Maqoja duhet të reflektojë thellë mbi këto çështje, se janë shumë serioze për vijën e Partisë dhe për atë vetë, ato janë çështje shumë të rëndësishme politike. Njerëzit në Komitetin Qendror duhet të jenë me zemër të hapur dhe të vendosur deri në fund për mbrojtjen e vijës së Partisë. Komiteti Qendror pret nga Maqoja që ai t’ i flasë hapur Partisë, në mos në këtë Plenum të paktën t’ ia thotë Byrosë Politike. Ai ka kohë të reflektojë dhe Byroja Politike do ta ndihmojë.[clix]
Gratë e udhëheqësve të cilat qenë anëtare apo kandidate të Komitetit Qendror paralajmëroheshin që të denonconin burrat e tyre, kur këta flisnin kundër Hoxhës, në rast se nuk donin që ato dhe familjet e tyre ta pësonin si ajo e Belishovës dhe Maqo Çomos. Hoxha hapur i ofroi Maqo Çomos edhe një shans për të denoncuar gruan e vet si armike, madje duke i bërë dhe një ofertë të qartë, kur tha:
Byroja Politike do ta këshillojë Maqon të reflektojë dhe përsa i përket vërejtjes së Plenumit në lidhje me funksionin e tij, ne jemi dakord që kjo çështje të merret në studim në mbledhjen e ardhshme të Plenumit.[clx]
Pra, Maqo Çomos i ofrohej që të ruante postin e ministrit nëse dënonte qëndrimin e gruas. Kjo i duhej komedianit Hoxha për t’ i thënë Moskës se Belishovën e dënonte dhe burri i vet. Pasi Hoxha mbaroi punë me Belishovën iu kthye Koço Tashkos. Koço Tashkos, njeriut i cili e kishte afruar në Grupin Komunist të Korçës, njeriut me të cilin kishte pritur Miladin Popoviçin, njeriut i cili e kishte çuar në mbledhjen themeluese të partisë dhe që kishte qenë pjesëmarrës atje, njeriut që kishte qenë në Konferencën e Pezës, Hoxha do t’ i thoshte në mbledhjen e Byrosë Politike, në 31 gusht:
Ti je një oportunist, një karrierist, një njeri me shumë mbeturina të theksuara mikroborgjeze, je edhe frikacak. Situatat e vështira ty të frikësuan.[clxi]
Nëse ishte vërtet kështu, atëherë edhe Hoxha. Por një javë më pas, në Plenumin XVIII, në 7 shtator, Hoxha do t’ i fliste ndryshe Koço Tashkos:
Nuk ka dyshim se Partia jonë, ashtu si dhe vetë kjo mbledhje e përbashkët e Plenumit të Komitetit Qendror dhe e Komisionit të Revizionimit, pasi të dëgjojë dhe autokritikën e Koço Tashkos, do ta ndihmojë atë me ngrohtësi dhe në frymë shoqërore që të ndreqë gabimet, që t’ i shërbejë mirë Partisë dhe popullit të tij.[clxii]
Hoxha foli kështu se i duhej autokritika e Koço Tashkos, ashtu që së paku në rastin e tij të arrihej një performancë staliniane e spastrimeve me viktimat që vetëfajësohen. Pastaj mund të vazhdonte procesi i eliminimit mbi bazën e vetë thënieve të viktimës. Por as Koço Tashko nuk u nënshtrua. Kështu që Hoxha, të nesërmen do të shpërthente në fjalën e mbylljes në plenum:
Plenumi me të drejtë u shpreh njëzëri për përjashtimin e Koço Tashkos nga Partia. Tani nuk ka më asnjë dyshim se kemi të bëjmë jo vetëm me një element antiparti, por dhe me një provokator, me një vegël në duart e të tjerëve, për të çarë unitetin e Partisë.[clxiii]
Në 8 shtator plenumi do të zgjidhte Ramiz Alinë në vend të Belishovës, në postin e Sekretarit të Komitetit Qendror. Njeriu i Hoxhës vazhdonte të përparonte. Familja e Ramiz Alisë pati emigruar nga Sanxhaku (pjesa që ndodhet në Bosnjë-Herzegovinë) në Gjakovë në vitin 1908, për shkak se kundërshtoi aneksimin e Bosnjë-Herzegovinës nga Austro-Hungaria që ndodhi në këtë vit. Në 1920 familja e Alisë u vendos në katundin Dobraç në Shkodër dhe më pas në qytetin e Shkodrës. Ngritja e këtij njeriu në udhëheqje bëhej sipas traditës osmane të kapi-kullarive, skllevërve të Portës së Lartë, të cilët sulltani i ngrinte në poste për shkak se ata qenë njerëz pa rrënjë, çka do të thoshte se nuk mund të krijonin dot klane, bazë fuqie personale me një krahinë ose fis.
Në përfundim të plenumit Hoxha tha për mbledhjen e ardhshme të partive komuniste e punëtore të botës, që do të mbahej në Moskë, në nëntor:
Ne do të shkojmë në Moskë jo me dhjetë flamurë, por vetëm me një, me flamurin e marksizëm-leninizmit.[clxiv]
Kjo ishte gjuha e Tarasit-Herman. Për të «flamuri i marksizëm-leninizmit» nuk ishte gjë tjetër veçse kombinacioni magjik i letrave në lojën e pushtetit. Ndoshta kjo ishte arsyeja që Hoxha nuk parapëlqeu pseudonimin Tarasi ku ai në atë kohë filloi të përdorë në korrespondencën konfidenciale një nga pseudonimet e tij të kohës së luftës. Në vjeshtën e vitit 1960, në radiogramet që Hoxha shkëmbeu me Shehun i cili gjendej në Neë York (Meqënëse Hrushovi, në cilësinë e kryeministrit të Bashkimit Sovjetik, shkoi në sesionin vjetor të Asamblesë së OKB, shkuan gjithë homologët e tij të kampit socialist, dhe me ta edhe Shehu), me patetizëm firmonte me një nga pseudonimet e veta të kohës së luftës. Në 10 radiograme për Shehun në SHBA, midis datës 20 shtator dhe 9 tetor, Hoxha ve në fund në vend të emrit pseudonimin “Shpati”.[clxv]Në më pak se tre javë, ky pseudonim i kohës së luftës del më tepër se ç’ kishte dalë në dy volumet e para të serialit të Veprave të Hoxhës, që mbulojnë periudhën e luftës. Është interesante se në të njëtën periudhë i çon dhe katër radiograme Kapos në Moskë, nga të cilat tre midis 1 tetorit dhe 11 tetorit, dhe një në 30 nëntor 1960, por në fund të tyre shkruan thjesht “Enver”.[clxvi]Edhe në pesë radiogramet që Hoxha i çoi Kapos në Bukuresht, në datat 21-25 qershor, në fund ve thjesht “Enver”.[clxvii]
Qartësisht Hoxha kërkon ta marrë me të mirë Shehun, ndërsa për Kapon, nuk sforcohet deri në këtë pikë. Në 26 shtator 1960 Hoxha i çonte këtë radiogram Shehut në New York:
Ne kemi avantazhin këtej të vemi edhe për gjah. Vajta të shtunën, vrava 18 rosa. Po të kisha qëlluar më mirë mund të kisha vrarë edhe më shumë. Asnjë rosë nuk vrava në ujë, por të tëra në flur. Kishte rosa shumë dhe të majme. Kadriu qëndroi në kënetën e kashtës dhe vrau edhe ai mjaft. Mos u mërzit se kemi lënë edhe për ty kur të vish. Lajmet që na japin tregojnë se në Sukth fazanët janë shtuar aq shumë sat ë marrin kapelen nga koka. Por atje s’ do të vemë dorë, do të presim edhe ty.[clxviii]
Njoftime të ngjashme me siguri u çonin kryeministrave të vet, të cilët gjendeshin në atë kohë në Neë York, shumë mbretër të botës. Hoxha dhe Shehu e kishin kthyer Shqipërinë në latifondin e tyre dhe për të mbrojtur sundimin e tyre dhe gjithë të mirat që vinin prej tij, ata qenë të vendosur të mos ndaleshin para asgjëje, të vrisnin shumë më tepër njerëz se rosa e fazanë. Në vjeshtën e vitit 1960, kur Shqipëria gjendej në kulmin e një krize humanitare të shkaktuar nga mungesa e ushqimeve, Hoxha zbavitej duke gjuajtur rosa e fazanë. Por, i ndëshkuar me një destin tantalian ai nuk mund të hante nga rosat dhe fazanët e vrarë. Ai qe i dënuar të jetonte me një racion urie, si shqiptarët e tjerë, për shkak të dietës që detyrohej të mbante nga sëmundja e diabetit. Hoxha do ta ndërpriste gjuetinë e rosave në 30 shtator 1960 për të marrë pjesë në pritjen e dhënë nga ambasada kineze në Tiranë, me rastin e festës së Kinës, ku mbajti një fjalim.
Fjalimi i Hoxhës në këtë pritje është historic edhe për faktin se për herë të parë që nga maji i vitit 1953, në një fjalim të tij ka një citat të gjatë nga Stalini, fjalia e parë dhe e fundit e të cilit është:
Forcat e lëvizjes revolucionare në Kinë janë tepër të mëdha… Ai që nuk e përfill këtë forcë dhe nuk do ta përfillë, me siguri do të humbasë.[clxix]
Për shtatë vjet Hoxha i kishte evituar citatet nga Stalini, të cilat më parë kishin qenë aq të shpeshta në retorikën e tij. Citimi i Stalinit ishte një sfidë e qartë ndaj Hrushovit. Hoxha u tha shqiptarëve nga ambasada e Kinës, duke dashur t’ i parapërgatiste për aleancën e re:
Republika Popullore e Kinës, pasi zbatoi me sukses planin e parë pesëvjeçar në vitin 1957, gjatë viteve 1958 dhe 1959 ka arritur suksese të mahnitshme, duke plotësuar tre vjet përpara afatit treguesit kryesorë të planit të dytë pesëvjeçar 1958-1962.[clxx]
Reagimi i Hrushovit ndaj këtyre veprimeve të Hoxhës do të ishte dinamizimi i prishjes sovjeto-shqiptare dhe deklarimi i saj në një takim me kinezët në tetor, në Moskë, për të cilin Hoxha do të thoshte në fjalimin e vet në mbledhjen e Moskës, në nëntor:
Në tetor të këtij viti shoku Hrushov, me seriozitetin më të madh, u deklaroi shokëve kinezë se «ne do ta trajtojmë Shqipërinë si Jugosllavinë»[clxxi]
Hrushovi as që mori mundimin t’ ua thoshte këtë gjë shqiptarëve, në shenjë paralajmërimi, por iu drejtua kinezëve, me synimin që Hoxha e tha qartë në mbledhjen e Moskës, duke interpretuar fjalët e mësipërme të Hrushovit:
Me këtë rast donim të pyesnim shokun Hrushov: pse një deklaratë të tillë nuk na e bëri neve, por një përfaqësuesi të një partie të tretë? Apo shoku Hrushov mendon se Partia e Punës së Shqipërisë nuk ka pikëpamjet e saj, por ka bërë kauzë të përbashkët me Partinë Komuniste të Kinës në mënyrë të paprinciptë dhe prandaj për çështjet e Partisë sonë mund të bisedohet me shokët kinezë?»[clxxii]
Hrushovi u kishte bërë të ditur kinezëve se këtej e tutje sovjetikët fjalët e e shqiptarëve do t’ i shikonin si kumte të kinezëve, dhe këta të fundit duket se nuk kishin asnjë objeksion për këtë, cka u kuptua me deklaratën e mësipërme të Hoxhës në mbledhjen e Moskës, me të cilën në fakt ishte Mao Ce Dun ai që po i përgjigjej Hrushovit për fjalët që u kishte thënë kinezëve në tetor për Shqipërinë.
Hoxha para se të nisej në Moskë, për të marrë pjesë në mbledhjen e madhe të komunizmit ndërkombëtar, do të mbyllte llogarinë me bashkëshortin e Belishovë, i cili nuk pranoi të bënte lojën e Hoxhës, duke denoncuar gruan e vet si armike. Në 31 tetor u mbajt një mbledhje e Byrosë Politike ku u propozua shkarkimi i Maqo Çomos nga posti i ministrit të Bujqësisë. Hoxha tha në gjuhën e vet prej komediani:
Para se të flasë Maqo Çomoja doja të theksoja që ai të mos ketë asnjë dyshim se propozohet për t’ u hequr nga funksioni si ministër, për shkak se ai është burri i Liri Belishovës. Liria u dënua sepse kapitulloi dhe shkeli rëndë vijën politike dhe ideologjike të Partisë, kurse ai nuk mendohet të shkarkohet si ministër i Bujqësisë automatikisht se është burri i saj. Po të kishim arritur në një konkluzion të tillë, nuk ka asnjë dyshim se do ta shënonim në relacionin që u është shpërndarë shokëve të Byrosë.[clxxiii]
Stalinit do t’ i kishte shkaktuar një nënqeshje sardonike aprovuese kjo logjikë: Derisa nuk ishte shënuar në relacion se Maqo Çomo po shkarkohej se ishte burri, atëherë nuk ishte kjo arsyeja e shkarkimit të tij! Në një sens të caktuar kjo ishte e vërtetë. Maqo Çomo po shkarkohej se ai si burri i Belishovës nuk pranoi të bëhej denoncuesi i gruas së tij. Të nesërmen u thirr me ngut plenumi i Komitetit Qendror, i njëzeti që nga qershori i vitit 1956, kur ishte mbledhur kongresi i fundit i partisë, që shënonte dhe radhën e re të llogaritjes së plenumeve. Në plenum Maqo Çomo u shkarkua nga posti i ministrit dhe u përjashtua nga Komiteti Qendror. Hoxha do të kujdesej që bashkëshortët të jetonin të ndarë dhe në internim. Belishova u internua në Progonat të Tepelenës, ndërsa Maqo Çomo në Zvërnec të Vlorës. Derisa të internuarit e kishin të ndaluar të lëviznin jashtë vendit të internimit, ata të dy nuk mund të takoheshin. Hoxha kishte dhe një sens ironie në ndëshkimet. Koço Tashko u internua në Mallkastër, në vendlindjen e Belishovës. Në 1969, Koço Tashko, në moshën 70 vjeçare do të arrestohej dhe do të dënohej me 10 vjet burg, të cilat do t’ i bënte të plota, për të vdekur pastaj në internim në moshën 84 vjeç, në 1983. Por këtu kishte dhe një ironi tjetër, këtë herë në dëm të Hoxhës. Ata që Hoxha shpallte armiq, si për inat të tij, kishin shëndet të mirë dhe jetonin gjatë, nëse ai nuk ua shkurtonte jetën në një mënyrë ose në një tjetër. Ndërsa Hoxha, në mes të të mirave, po vuante nga sëmundjet.
Hoxha u mjaftua me kaq pak ndëshkime kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, se në Shqipëri nuk ndodhi aspak si në Jugosllavi në 1948, kur pati një reaksion të madh nga prosovjetikët. Edhe pse në rastin e Shqipërisë, ndryshe nga Jugosllavia, prishja me Bashkimin Sovjetik erdhi pikërisht në kohën kur ndihma sovjetike për vendin ishte duke u rritur, reagimi prosovjetik ishte miniminal. Kjo tregonte se fjalët që kishte thënë Hoxha për dashurinë e zjarrtë të shqiptarëve ndaj Bashkimit Sovjetik, kishin qenë rrena. Jo vetëm populli, por as nomenklatura sunduese e vendit nuk reagoi ndaj prishjes me Bashkimin Sovjetik. Asnjë gjeneral apo oficer i vetëm, qoftë i ushtrisë apo i Sigurimit të Shtetit, nuk doli të kundërshtonte prishjen me Bashkimin Sovjetik. E gjithë nomenklatura e regjimit e tregoi veten se ishte e përbërë nga Tarasë-Hermanë!
[i] Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 14/ Arkivi i PPSH, Viti 1957, lista 1, dosja 38
[ii] Enver Hoxha: «Ditar: 1955-1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 374
[iii] Enver Hoxha: «Ditar: 1955-1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 361
[iv] Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 14/ Arkivi i PPSH, Viti 1957, lista 1, dosja 20
[v] Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 14/ Arkivi i PPSH, Viti 1957, lista 1, dosja 20
[vi] Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 14/ Arkivi i PPSH, Viti 1957, lista 1, dosja 20
[vii] Enver Hoxha: Vepra, vol 22, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 276
[viii] Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 14/ Arkivi i PPSH, Viti 1957, lista 1, dosja 20
[ix] Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 14/ Arkivi i PPSH, Viti 1957, lista 1, dosja 20
[x] Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 14/ Arkivi i PPSH, Viti 1957, lista 1, dosja 38
[xi] N. S. Hrushov: «Unë nuk jam gjykatës», Shtëpia botuese «Ombra GVG», Tiranë 2004, f. 137
[xii] N. S. Hrushov: «Unë nuk jam gjykatës», Shtëpia botuese «Ombra GVG», Tiranë 2004, f. 136
[xiii]Enver Hoxha: «Ditar: 1955-1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 378
[xiv] «Historia e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik», Botim i Instutit të Partisë pranë KQ të PPSH, Tiranë 1959, f. 744
[xv] Enver Hoxha: «Ditar: 1955-1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 387
[xvi]«Libri i kuq i citateve të Kryetarit Mao Ce Dun», Shtëpia botonjëse e gjuhëve të huaja, Pekin 1967, f. 78- 79
[xvii]Enver Hoxha: «Ditar: 1955- 1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 395
[xviii]Enver Hoxha: «Ditar: 1958-1959», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 2, f. 103
[xix] po atje: f. 107
[xx] po atje: f. 108
[xxi] po atje: f. 115
[xxii] po atje: f. 116
[xxiii] po atje: f. 118
[xxiv]Enver Hoxha: Vepra, vol 22, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 147- 148
[xxv] Enver Hoxha: «Ditar: 1958-1959», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 2, f. 145
[xxvi]po atje: f. 171
[xxvii]po atje: f. 148
[xxviii]po atje: f. 218
[xxix]po atje: f. 219
[xxx] po atje: f. 220
[xxxi]po atje: f. 242
[xxxii]po atje: f. 252
[xxxiii] po atje: f. 257
[xxxiv] po atje: f. 262
[xxxv]po atje: f. 263
[xxxvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 15, Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1973, f. 396
[xxxvii]po atje: f. 396
[xxxviii]Enver Hoxha: «Ditar: 1958-1959», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 2, f. 266
[xxxix]po atje: f. 267
[xl] po atje: f. 268
[xli] Gazeta «Zëri i Popullit», 31 maj 1959, f. 2
[xlii]Enver Hoxha: «Ditar: 1958-1959», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 2, f. 273
[xliii] po atje: f. 283
[xliv]po atje: f. 324
[xlv] po atje: f. 325
[xlvi]po atje: f. 361
[xlvii]po atje: f. 365
[xlviii]Gazeta «Zëri i Popullit», 27 maj 1959, f. 1
[xlix]Enver Hoxha: «Ditar: 1958-1959», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 2, f. 368
[l] Gazeta «Zëri i Popullit», 20 maj 1959, f. 1
[li] po atje: f. 1
[lii] po atje: f. 1
[liii]Gazeta «Zëri i Popullit», 25 maj 1959, f. 1
[liv] po atje: f. 2-3
[lv] po atje: f. 3
[lvi] po atje: f. 2
[lvii]«Shënime për Kinën», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1979, Vol 2, f. 619
[lviii]Nexhmije Hoxha: «Jeta ime me Enverin», Enti botues «Lira», Tiranë 1998, Vol. I, f. 367
[lix] Gazeta «Zëri i Popullit», 26 maj 1959, f. 1
[lx] po atje: f. 3
[lxi] Gazeta «Zëri i Popullit», 27 maj 1959, f. 1
[lxii]po atje: f. 3
[lxiii] po atje: f. 3
[lxiv]po atje: f. 3
[lxv]Gazeta «Zëri i Popullit», 31 maj 1959, f. 2
[lxvi]po atje: f. 2
[lxvii]po atje: f. 2
[lxviii]po atje: f. 3
[lxix]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 294
[lxx] Gazeta «Zëri i Popullit», 1 qershor 1959, f. 2
[lxxi]po atje: f. 2
[lxxii]po atje: f. 2
[lxxiii]po atje: f. 2
[lxxiv]Gazeta «Zëri i Popullit», 31 maj 1959, f. 4
[lxxv]«PPSH: Dokumente kryesore», Shtëpia botuese e Librit Politik, Tiranë 1972, Vol. II, f. 662
[lxxvi]Gazeta «Zëri i Popullit», 1 qershor 1959, f. 2
[lxxvii]Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, viti 1959, dosja 428
[lxxviii]Gazeta «Zëri i Popullit», 27 maj 1959, f. 3
[lxxix]Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1961-1963», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1982, vol. 2, f. 462
[lxxx]po atje: f. 678
[lxxxi]Enver Hoxha: «Ditar: 1958-1959», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 2, f. 415
[lxxxii]po atje: f. 430
[lxxxiii]po atje: f. 452
[lxxxiv]po atje: f. 453
[lxxxv]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 367
[lxxxvi]Enver Hoxha: «Ditar: 1960-1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 29
[lxxxvii]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 368
[lxxxviii]Enver Hoxha: «Ditar: 1960-1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 30
[lxxxix]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 369
[xc] Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 44
[xci] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 369
[xcii]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 217- 218
[xciii]Enver Hoxha: «Ditar: 1960-1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 35
[xciv]po atje: f. 35
[xcv] Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1978», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1984, vol. 11, f. 504
[xcvi]N. S. Hrushov: «Kujtime», Shtëpia botuese «55», Tiranë 2006, f. 215
[xcvii]po atje: f. 216
[xcviii] Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1978», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1984, vol. 11, f. 500
[xcix]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 45
[c] Enver Hoxha: «Ditar: 1960- 1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 38
[ci] po atje: f. 48
[cii] po atje: f. 55
[ciii]Enver Hoxha: Vepra, vol 18, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 192
[civ] «Libri i kuq i citateve të Kryetarit Mao Ce Dun», Shtëpia botonjëse e gjuhëve të huaja, Pekin 1967, f. 37
[cv]Enver Hoxha: Vepra, vol 18, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 316
[cvi] Enver Hoxha: «Ditar: 1960- 1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 90
[cvii]Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1978», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1984, vol. 11, f. 407
[cviii]Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1979», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1985, vol. 12, f. 80
[cix]po atje: f. 80
[cx] Enver Hoxha: «Ditar: 1960- 1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 124
[cxi] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 366
[cxii]Enver Hoxha: «Ditar: 1960- 1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 126
[cxiii]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 409-410
[cxiv]Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 372
[cxv]po atje: f. 372- 373
[cxvi]po atje: f. 372
[cxvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 23
[cxviii]Enver Hoxha: «Ditar: 1960-1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 134
[cxix]po atje: f. 127
[cxx] Enver Hoxha: «Hrushovianët», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1980, f. 379
[cxxi]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 16
[cxxii]po atje: f. 57
[cxxiii]po atje: f. 69
[cxxiv]po atje: f. 45
[cxxv]Enver Hoxha: «Raporte e fjalime: 1978-1979», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1981, f. 418
[cxxvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 56
[cxxvii]po atje: f. 32
[cxxviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 22, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 164-165
[cxxix]Enver Hoxha: Vepra, vol 20, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 345
[cxxx]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 18
[cxxxi]po atje: f. 32
[cxxxii]po atje: f. 41
[cxxxiii] N. S. Hrushov: «Unë nuk jam gjykatës», Shtëpia botuese «Ombra GVG», Tiranë 2004, f. 147- 148
[cxxxiv]Enver Hoxha: «Ditar: 1960-1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 145
[cxxxv]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 451-452
[cxxxvi]po atje: f. 453
[cxxxvii]po atje: f. 33
[cxxxviii]po atje: f. 423
[cxxxix] «Vjetari Statistikor», 1950-1990, Botimi i Ministrisë së Ekonomisë, Tiranw 1991, f. 134
[cxl]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 365- 366
[cxli]Enver Hoxha: «Ditar: 1960- 1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 153
[cxlii]po atje: f. 171
[cxliii]po atje: f. 154
[cxliv]po atje: f. 170
[cxlv]po atje: f. 155
[cxlvi]Enver Hoxha: Vepra, vol 18, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 401
[cxlvii]Enver Hoxha: Vepra, vol 21, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1976, f. 347
[cxlviii]Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 90-91
[cxlix]po atje: f. 100
[cl] po atje: f. 126
[cli] po atje: f. 135
[clii]po atje: f. 135
[cliii]Enver Hoxha: «Ditar: 1960- 1961», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 3, f. 181
[cliv] «Libri i kuq i citateve të Kryetarit Mao Ce Dun», Shtëpia botonjëse e gjuhëve të huaja, Pekin 1967, f. 197
[clv] Enver Hoxha: Vepra, vol 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 211
[clvi]po atje: f. 211
[clvii]po atje: f. 222
[clviii]po atje: f. 222-223
[clix]po atje: f. 223
[clx] po atje: f. 224
[clxi]po atje: f. 161
[clxii]po atje: f. 229-230
[clxiii]po atje: f. 231
[clxiv]po atje: f. 186
[clxv] po atje: f. 254-256-258-260-262-265-288-297-300-326
[clxvi]po atje: f. 283-324-329-464
[clxvii]po atje: f. 1-20-21-23-29
[clxviii]po atje: f. 259
[clxix]po atje: f. 270
[clxx]po atje: f. 272
[clxxi]po atje: f. 420
[clxxii] po atje: f. 422
[clxxiii]po atje: f. 340





