Përgatiti: GENTIAN SPIRI
Trajneri i ri i skuadrës kaliforniane i ka të qarta objektivat e tij, ndërkohë që Brajant dhe Nash e presin me padurim ardhjen e tij. Pritet reagimi i tifozëve
Skuadra e Lejkërsave ka hyrë tashmë në një epokë të re, atë të trajnerit Majk D’Antoni, i cili pritet të debutojë me skuadrën ditën e premte. Ish-trajneri i Feniksit dhe Nju Jorkut, tashmë 61 vjeç, ka shansin më të madh të karrierës së tij për të fituar një titull kampion, gjë që nuk e bëri dot Majk Braun, i shkarkuar nga drejtuesit një javë më parë. D’Antoni fitoi konkurrencën me Fil Xhekson për vendin e trajnerit, ndërkohë që pronarët e skuadrës për zgjedhjen e bërë thanë:
“D’Antoni është njeriu më i përshtatshëm për të marrë në dorë skuadrën”. Trajneri i ri do të lëvizë në ndeshjet e para me paterica, pasi ende nuk është rikuperuar pas operacionit në këmbë në fillim të këtij muaji dhe mund të debutojë ndaj Feniksit (të premten), skuadër që e ka drejtuar vite më parë (ose të dielën ndaj Hjustonit).
Majk D’Antoni nuk ka dyshime për atë që synon të arrijë këtë sezon dhe në intervistën e tij të parë një për një radio të Los Anxhelosit tha: “Duhet të luftojmë për titullin kampion. Çdo rezultat tjetër do të ishte një zhgënjim për këtë skuadër”, – u shpreh trajneri i ri, që në Nju Jork nuk pati një përvojë pozitive dhe u largua në mars, pa përfunduar sezoni. “e njoh mirë këtë skuadër, e njoh edhe Kobi Brajant, që kur kishte 12 vjeç. Pra, e njoh që fëmijë, është lojtari me më shumë talent në këtë sport. Nëse më pyesni për Nash, atëherë përgjigjen e dini vetë, pasi e kam patur lojtar te Feniksi.
Por për të do të flas kur të shoh gjendjen e tij pas dëmtimit. Kam provuar një herë të fitoj pa të, por nuk më shkoi mirë, ndaj nuk dua ta provoj prapë atë aventurë”, – shtoi më tej trajneri Majk D’Antoni, që në lidhje me garën që pati për stolin e skuadrës së Lejkërsave me Fil Xhekson deklaroi: “Mendoja se ata do të zgjidhnin Fil për këtë detyrë, por duket se jeta ka shumë të papritura. Megjithatë, e di mjaft mirë se kam shumë miq tifozë të Lejkërsave që kanë mbetur të zhgënjyer që nuk u zgjodh ai trajner”.
Në pritje që trajneri i ri të zbresë në fushë, skuadra kaliforniane vazhdon të drejtohet nga Berni Bikerstaf, trajneri që ka drejtuar ekipin në 3 ndeshjet e fundit pas largimit të Braun dhe që ka arritur 2 fitore e një humbje, atë të djeshmen ndaj San Antonios. Ndërkohë, Kobi Brajant e ka pritur mirë ardhjen e Majk D’Antoni në krye të ekipit, duke u shprehur: “Është një trajner gjenial për lojën sulmuese. Ka qenë ai ë ka skicuar skemat sulmuese të kombëtares amerikane në Olimpiadë, për t’i adaptuar sa më mirë lojtarët në rolet e tyre. Është falë tij që ne kemi fituar 2 medalje të arta në Lojërat Olimpike.
Jam i bindur se edhe në Los Anxhelos ai do të ketë po aq sukses. E di që është një trajner se do vetëm të fitojë dhe kjo është një karakteristikë që e admiroj tek ai. Mbrojtja? Në vitet që skuadra drejtohej nga Fil Xhekson kemi bërë vetëm 2 apo 3 stërvitje specifike në lidhje me këto situate mbrojtëse”, – deklaroi Brajant, ndërkohë që mjaft i kënaqur është edhe Stiv Nash, organizatori kanadez i Lejkërsave, i cili me D’Antoni ka fituar dy herë trofeun e MVP-së. “Është argëtuese të punosh me të”, – tha Nash, por trajneri i ri e di mjaft mirë se duhet të fitojë edhe besimin e tifozëve.





