Flamurtari fiton Kupën e Shqipërisë në boks


Nga ELTON  NIKA
Festë për turneun e dorezave, zhvilluar dje në Vlorë, për 100-vjetorin e Pavarësinë
Fituesit sipas peshave
49kg   Aldjon Jazaj  Apolonia
52kg   Krenar Zeneli            Flamurtari
56kg   Rexhildo Zeneli        Flamurtari
60kg   Arnold Kuçali           Apolonia
64kg   Kristan Shytani         Flamurtari
69kh   Xhuljo Vrenozi         Flamurtari
75kg   Bekim Vjerdha         Flamurtari
81kg   Kristjan Dema           Flamurtari
91kg   Emiljano Xhildo       Dardania
+91kg Nelson Hysa  Flamurtari
Renditja ekipore: Flamurtari 37 pikë, Apolonia 21 pikë, Dardania 21 pikë
Boksieri më i mirë: Rexhildo Zeneli (Flamurtari)
Boksieri më luftarak: Arnaldo Kuçali (Apolonia)
Boksieri më teknik: Kristjan Shytani (Flamurtari)

Flamurtari është shpallur fitues i Kupës së Republikës në boks, hera e dytë që ekipi vlonjat fiton këtë trofe (hera e parë në vitin 1999). Boksierët vlonjatë, të stërvitur nga trajneri Gëzim Zeneli, janë  treguar më të saktë në ndeshjet e tyre ndaj kundërshtarëve, duke fituar pothuajse të gjitha finalet. Gjashtë boksierë të Flamurtarit janë shpallur kampion në peshat përkatëse: 52kg, 56kg, 64kg, 75kg, 81kg dhe +91kg. Apolonia do të nxirrte 3 boksierë kampionë, ndërsa ekipi i Dardanisë shpalli dy boksier fitues.
Edhe në renditjen ekipore, Flamurtari zuri vendin e parë me 37 pikë, ndërsa Vllaznia, skuadra kampione, këtë radhë nuk nxori ndonjë boksier fitues. Edhe në ditën e dytë të Kupës së Republikës, turne që u zhvillua në Vlorë (për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë) do të kishte shumë shikues, që ndoqën me interes mjaft të madh sfidat finale, të cilat ishin shumë emocionuese dhe të bukura, duke entuziazmuar të pranishmit.
Si për ta prishur qetësinë e këtij aktiviteti, do ishte një prej boksierëve të Dardanisë, Vilson Spahia, që në përfundim të ndeshjes së tij (humbi ndaj Xhulio Vrenozit), do të pështynte një nga gazetarët e pranishëm dhe më pas theu një prej karrigeve të gjyqtareve dhe medaljen e tij do të hidhte poshtë nga tifozeria.
Në ndarjen e çmimeve dhe kupave morën pjesë drejtues të pushtetit lokal në Vlorë, kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, drejtori i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, sekretari i FSHBo-së, Edmond Kabashi etj. I gjithë ekipi kampion i kësaj kupe, ai i Flamurtarit, është ngjitur në ring për të ngritur trofeun e Kupës së Republikës. Trajneri i ekipit të boksit të Flamurtarit, Gëzim Zeneli, pas turneut tha: “Fitorja e Kupës nuk ishte e rastësishme. Për mua është një ditë e veçantë, por edhe për qytetin e Vlorës.
Skuadra jonë kishte 15 ditë që ishte grumbulluar për këtë kupë dhe jemi stërvitur çdo ditë, pasi e donim këtë trofe. Falë edhe 3 boksierëve që kemi blerë nga Vllaznia, mundëm  të kurorëzonim ëndrrën tonë për t’u shpallur fitues”, – tha Zeneli. Ndërsa sekretari Edmond Kabashi ka falënderuar Bashkinë e Vlorës, kryetarin Shpëtim Gjika dhe shefin e klubit “Flamurtari”, Roland Dervishi, për bashkëpunimin dhe organizimin e këtij aktiviteti, për të nderuar festën e 100-vjetorit të Pavarësisë.