Kur ambasadori amerikan flet në 7 prill për hetimet e Gërdecit, dhe Berisha si Shefqet Vërlaci




Nga Kastriot Myftaraj

    Ambasadori amerikan në Tiranë zgjodhi për t’ u përnoncuar për hetimet e Gërdecit ditën e 7 prillit kur Prokuroria e Përgjithshme mbajti një seminar për teknikat hetimore financiare. Duke folur në këtë takim, ambasadori amerikan u shpreh: «Para sistemit të drejtësisë shqiptare sot është një hetim shumë i rëndësishëm, ai i tragjedisë së Gërdecit. Dhe unë kërkoj të shpreh mbështetjen time të plotë për një hetim tërësor, të gjithanshëm e të paanshëm për shpërthimin e Gërdecit. Ky hetim duhet të arrijë kudo ku çojnë provat, pavarësisht se në ç’ drejtim, apo kush është i përzier. Vetëm kjo do të rikthejë besim publik në institucionet e drejtësisë të Shqipërisë. Derisa prokuroria e Përgjithshme e heton incidentin për prova për keqbërje, unë shpresoj që të mos ndeshë interferenca politike të çdo lloji. Unë gjithashtu shpresoj që procedurat gjyqësore të jenë rigoroze, dhe që çfarëdo vendimesh dënimi të japin gjykatat shqiptare ato të jenë në të njëjtën masë me krimet, pavarësisht nga statusi politik ose lidhjet e kriminelëve».
    Derisa ambasadori amerikan ka thënë se është një lexues i historisë, duke përfshirë dhe atë të Shqipërisë, ai duhet që, me minimunin e sensit të ironisë, ta kuptojë se duke i thënë këto fjalë në 7 prill, ditën e pushtimit italian të Shqipërisë, krijoi për veten mbresën e një deja vu të Jacomonit, mëkëmbësit italian në Shqipëri. Këtë mbresë ta përforcon dhe fakti që të nesërmen deklarata e ambasadorit amerikan ishte në faqen e parë të të gjitha gazetave në Shqipëri, e interpretuar sipas dëshirës së njërit apo tjetrit, por ama si fjalë e shenjtë. Jacomoni ishte ambasadori italian në Shqipëri deri në 7 prill 1939, ndërsa pas pushtimit italian të Shqipërisë, ai mori postin e Mëkëmbësit, pra të sundimtarit të Shqipërisë, për llogari të Mbretit të Italisë dhe të kryeministrit Musolini. Ahmet Zogu u arratis ngas Shqipëria se nuk pranoi paktin që i ofruan italianët, që të rrinte mbret, duke pasur Jacomonin praktikisht me kompetencat e Mëkëmbësit. Zogut më pas iu quajt faj i madh që nuk qëndroi t’ i rezistonte pushtimit italian, por braktisi vendin, ama ai nuk pranoi të bëhej «kukull» e italianëve. Atë që nuk e pranoi Zogu, e pranoi Shefqet Vërlaci.
    Për të gjithë botën, që dëgjon fjalët e ambasadorit amerikan, është e qartë se të gjithë ata zyrtarë, që në një mënyrë ose në një tjetër, janë përgjegjës për atë që ndodhi në Gërdec, janë «kukulla» të vendosura nga Ambasada amerikane, sipas kombinacioneve që bën bën politika amerikane në Ballkan, si Shefqet Vërlaci dhe të të vetët, duke filluar që nga kryeministri Berisha, tek Presidenti Topi, ministri i Mbrojtjes, Mediu etj., Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama etj. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dha dorëheqjen pas një vizite në Ambasadën amerikane, ndryshe do të ishte edhe sot ministër. Nëse Berishës do t’ i kishte thënë ambasadori amerikan që të jepte dorëheqjen, ai do ta kishte bërë këtë gjë tashmë. Pas deklaratës që bëri ambasadori amerikan, duke iu drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, tashmë është e qartë se hetimet do të çojnë tek ato emra zyrtarësh dhe politikanësh që dëshiron ambasada amerikane. Nëse do të ndodhë kështu, këta do të thirren në ambasadën amerikane dhe do t’ u thuhet një version i asaj shprehjes proverbiale që Enver Hoxha i tha Kadri Hazbiut në plenumin e Komitetit Qendror, në 1982: «Unë propozoj të të arrestojnë!» Dhe ata, si Kadri Hazbiu, do të përgjigjen: «Po mirë, partia ime më arreston!» Se partia e tyre e vërtetë ka qenë ambasada amerikane. Fjalët që i tha ambasadori amerikan Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, për hetimin e Gërdecit, tregojnë se amerikanët e kanë të qartë se zyrtarët që ata kanë vënë në Shqipëri, e kanë mendjen vetëm si të abuzojnë me pushtetin që kanë (duke përfshirë dhe ata të drejtësisë), duke pasur kujdes vetëm që të mos cënojnë sadopak interesat greke në Shqipëri, çka ilustrohet më së miri nga ngjarja e Gërdecit. Zyrtarët e lartë shqiptarë të institucioneve të ndryshme e bëjnë detyrën vetëm kur u thotë ambasadori amerikan. Tashmë shqiptarët dhe gjithë bota e katë qartë se në rast se ambasadori amerikan do t’ i kishte mbajtur një fjalim për procesin demilitarizimit që po ndodhte në Shqipëri, gjë për të cilën ishte në dijeni, dhe do të kërkonte të vizitonte vendin se ku bëhej ky proces, atëherë nuk do të kishte ndodhur tragjedia e Gërdecit, të cilën ai sot kërkon të hetohet deri në fund.
    Por ngjarja e Gërdecit nuk do të hetohet deri në fund, se ka edhe në Ëashington njerëz të fuqishëm që nuk duan që ajo të hetohet deri në fund. Se edhe sikur të shpallen fajtorë dhe të dënohen Fatmir Mediu, Luan Hoxha, Sali Berisha dhe Bamir Topi, kjo nuk do të thoshte se ngjarja është hetuar deri në fund. Sepse ngjarja e Gërdecit duket qartë se është një akt terrorist që është favorizuar nga papërgjegjshëmria korruptive e qeveritarëve shqiptarë dhe nënshtrimi i tyre total ndaj grekëve, sipas këshillës së përsëritur të amerikanëve. Që të hetohet ngjarja e Gërdecit deri në fund duhet të na shpjegojë dhe ambasadori amerikan se kush e frenoi në Ëashington ardhjen e ekspertëve të FBI, për të hetuar vendngjarjen e shpërthimit në Gërdec, kur në fillim u paralajmërua ardhja e tyre katër ditë pas shpërthimit, sipas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme. Më pas ardhja e tyre u prapësua, çka u justifikua në mënyrë aspak bindëse në një deklaratë të detyruar të ambasadës amerikane, sikur kërkesa po studiohej, dhe pastaj erdhën ekspertë të ushtrisë amerikane, të cilët nuk ishin ekspertë antiterroristë.
    Në fjalën e ambasadorit amerikan në seminarin e Prokurorisë së Përgjithshme u njoftua se kërkesa e Prokurorisë së Përgjithsme ishte përmbushur, duke ardhur në 6 prill gjashtë ekspertë të ATF, një agjencie shtetërore amerikane, që mbulon dhe shpërthimet, por që gjithsesi nuk është FBI. Dhe ekspertët e ATF po vijnë në një kohë që u pa qartë në pamjet televizive se ekspertët e EUCOM futën në kraterin e madh të Gërdecit buldozerët për të bërë ekzaminimet e tyre, që nuk kanë lidhje me zbulimin e aktit terrorist. Në gjuhën profesionale kjo quhet prishje e vendit të ngjarjes, punohet me pinceta dhe jo me ruspa.
    Italianët dikur e kishin të qartë se zyrtarët shqiptarë, që nga më të lartët, ishin të prirur që të abuzonin, për të përfituar vetë. Në kohën kur Zogu sundonte Shqipërinë (1922-1939), në vend kishte pushtet të pakufizuar Lalë Krosi (Abdurahman Krosi), një fshatar analfabet nga Mati, që pati qenë qehaja i familjes Zogu dhe e kishte shoqëruar si kujdestar Zogun kur shkoi në shkollë Stamboll dhe në Manastir. Lalë Krosi qe faktotum i Zogut. Ai qe një njeri i plotfuqishëm, aq sa mund të quhet si nr. 2 i regjimit pas Ahmet Zogut dhe para kryeministrit. Diplomati italian që shërbeu në Shqipëri në atë kohë, Pietro Kuaroni thotë se atë intelektualët shqiptarë e quanin Lalë Krosin “Rasputini shqiptar”. Kuaroni e portretizon kështu Krosin: “Koncepti i tij për organizimin e shtetit shqiptar ishte shumë i thjeshtë. Administrata, nga kryetari i Këshillit (kryeministri-K.M.) te sekretari i fundit i prefekturës, duhej të përbëhej përjashtimisht nga njerëz të miqve të tij dhe çdo punë, e madhe apo e vogël, duhej të kalonte nëpër duart e tij, duke lëshuar në to, në kalim e sipër, disa pupla. Për të qenë më i saktë, besoj që suksesi im relativ ka pasur këtë arsye të vetme që, duke e njohur praninë dhe ndikimin e tij, unë kisha menduar që e vlente më shumë ta bënim këtë njeri të na shërbente ne, sesa të ishim të detyruar ta përballonim frontalisht… Ai kishte në qytet një zyrë të vogël, përherë plot e përplot me hallexhinj: ai bënte kujdes të mos nënvleftësonte edhe çështjet më të vogla. Kërkuesit dilnin prej aty të pajisur me një shuk shumë të vogël letre me disa fjalë të shkarravitura përsipër:
-Bëj çfarë kërkon filani, është miku im…
Por është fakt që atë e urrenin, të rinjtë sidomos, në veçanti ata që ishin edukuar në Evropë dhe që ëndërronin si patriotë të mirë për një Shqipëri të organizuar pak më mirë, më të ndryshme. Të ndërgjegjshëm për këtë trafik influencash politike dhe ekonomike, ata e konsideronin Krosin, gjithë përmasat ruajtur, si një lloj Rasputini të Shqipërisë”.       ( Pietro Kuaroni: “Valixhja diplomatike”, “Albinform”, Tiranë 1993, f. 117-118.)
    Sigurisht që Lalë Krosi qe dora e Zogut dhe zejen e korrupsionit e ushtronte për llogari të këtij të fundit. Atë që bënte Zogu e kanë bërë të gjithë qeveritarët shqiptarë të pas vitit 1990, të cilët kanë pasur secili «Lalë Krosin» e vet, duke abuzuar me gjithaçka që u bie në dorë, që nga taksat e shqiptarëve, tek ndihmat e huaja, duke ëprfshirë dhe ato amerikane. Italia, ndihmat që dha për Shqipërinë që nga viti 1925 e deri në 1943, pra për 18 vjet, nuk i la në dorë të shqiptarëve, por krijoi një shoqëri të posaçme për zhvillimin e Shqipërisë (SVEA), në sajë të së cilës ne kemi gjurmë të ndihmës italiane sot, me shumë ndërtime publike që i rezistojnë kohës dhe sot. Ndërsa nga ndihmat që Europa dhe SHBA i dhanë Shqipërisë gjatë këtyre 18 vjetëve, pothuajse nuk kemi asnjë gjurmë. Veç kësaj, një tjetër gjë e mirë që bënë italianët ishte se ata i treguan kufirin Greqisë në Shqipëri dhe e detyruan që të mos përzihej në punët e brendshme të Shqipërisë. Analogjia e Berishës me Shefqet Vërlacin nuk qëndron vetëm në një pikë, në atë se Shefqet Vërlaci nuk do ta pësonte kurrë për shkak se një biznesmen me origjinë greke kishte ngritur një të ashtuquajtur fabrikë çmontimi predhash, pranë Tiranës. Ne sot e qortojmë Shefqet Vërlacin se konfirmoi shpalljen e luftës që Italia i bëri Greqisë në 1940, ama nuk e qortojmë dot se i bëri favore koloniale Greqisë, i detyruar nga Italia.
    Italianët, që kur grekët vranë Gjeneral Telinin në 1923, me synimin e qartë për të goditur interesat italiane në Shqipëri, i dhanë një mësim të mirë Greqisë, duke pushtuar Korfuzin, dhe që atëherë Greqia nuk e ngacmoi më Shqipërinë dhe as tentoi që të helenizonte Kishën Ortodokse Shqiptare. Ndërsa SHBA i kanë dhënë Greqisë të drejtën ta shfrytëzojë Shqipërinë ekonomikisht si një koloni, të vejë një grek në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare, të ndërtojë gjithandej Shqipërisë, deri në qendër të Tiranës kisha-bunkere gjigande prej betoni. Fjalët e ambasadorit amerikan në 7 prill, i japin gjithë kësaj një simbolikë të errët. 
    
   


Related Posts: