Kur do të mbajë qëndrim Berisha për skandalin që bëri drejtori i tij Aurel Plasari ndaj Hungarisë




Nga Kastriot Myftaraj

Gazeta “Sot”
16 nëntor 2008

    Botimi para pak kohësh në Shqipëri i librit «Janko Hunyadi» të autorit rumun Camil Muresanu përbën një skandal në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Kjo jo thjesht për faktin se heroi nacional hungarez në këtë libër paraqitet si i etnisë vllahe, kur e di gjithë bota se ai është i nacionalitetit hungarez. Rumunët kanë të drejtë që ta pretendojnë Hunyadin dhe një shtëpi botuese në Shqipëri ka të drejtë që ta botojë një libër të tillë, me justifikimin e qarkullimit të lirë të ideve. Por çështja komplikohet se libri në fjalë është botuar nga shtëpia botuese «55» në kolanën e ashtuquajtur «Intelligenda», për të cilën në libër është shënimi: «kolanë e drejtuar nga Aurel Plasari».
    Aurel Plasari është drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, një nga institucionet qendrore kulturore në vend. Pra, z. Plasari është një nëpunës relativisht i lartë i shtetit shqiptar dhe si i tillë z. Plasari nuk mund t’ i lejojë vetes luksin që të veprojë si një intelektual free lance, se në veprimet e tij implikon dhe shtetin shqiptar. Në rast se z. Plasari dëshiron të mërzejë lirisht në kullotat e «intelligenda» ai duhet të japë dorëheqjen nga posti që ka dhe të dalë si një intelektual free lance, se është në një pozitë konflikti interesi intelektual.
    Z. Plasari shtiret sikur të gjitha këto i bën në kuadrin e lirisë intelektuale, por faktet flasin ndryshe. Plasari në «Intelligenda» të vet ndjek qartësisht një agjendë vllahocentriste. Pesë vjet më parë, kur Plasari ishte tashmë drejtor, ai shkaktoi debate me një artikull në shtyp ku e quajti Nënën Tereze vllahe. Atëherë Plasari u mbrojt me tezën e manualeve sorosiane të dekonstruksionit të mitit historik, teori për të cilën miku i vet Piro Misha ka bërë një artikull-manual në vitin 2000 në revistën «Përpjekja» të Fatos Lubonjës. Atëherë problemi me Plasarin ishte i njëjti si dhe sot, pra se Plasari nuk mund të mbante postin e drejtorit të Bibliotekës Komnbëtare dhe në të njëjtën kohë  të dilte në debatin publik me një tezë të tillë. Por Plasari atëherë mbijetoi në postin e vet dhe vazhdon të zbatojë agjendën e vet të dyshimtë. Plasari punon në dy linja të kundërta, nga njëra anë ai kërkon të plasaritë (dekonstruktojë) mitet shqiptare që nga Nëna Tereze tek Skënderbeu, ndërsa në anën tjetër ai kërkon të konsolidojë mitet vllahe, duke i bërë vllahë Nënën Tereze dhe Hunyadin.
    Derisa në rastin e Nënës Tereze skandali mbetej në përmasat shqiptare, në rastin e Hunyadit skandali i drejtor Plasarit ka marrë përmasa ndërkombëtare, duke krijuar një premisë konflikti mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Hungaria është një vend mik i Shqipërisë në kuptimin e plotë të fjalës. Hungaria ishte i pari vend i NATO që ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë aleancë. Hungaria ishte ndër vendet e para- vendi i shtatë, ndër 27 vendet e Bashkimit Europian- që ratifikoi marrëveshjen e stabilizim-asocimit me Shqipërinë, që në prill 2007. Hungaria gjithashtu e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Prandaj është me të vërtetë mosmirënjohje dhe rrugaçëri nga ana e shtetit shqiptar që titullari i një institucioni kulturor public në Shqipëri të bëjë një gjest të tillë fyes ndaj Hungarisë, këtij vendi- mik të Shqipërisë në plot kuptimin e fjalës.
    Për veprimin e Plasarit ka përgjegjësi të plotë kryeministri Berisha, nga i cili varet drejtpërdrejt drejtori Plasari. Kryeministri Berisha duhet të reagojë duke i kërkuar Plasarit që të japë dorëheqjen dhe në rast se ky i fundit nuk pranon, atëherë duhet ta shkarkojë nga posti që mban. Përgjegjësia e Berishës është më e madhe se libri për Hunyadin është botuar nga Shtëpia botuese «55» që është në pronësi të Fahri Balliut, i cili është anëtar i Këshillit kombëtar të PD, si dhe një pronar mediash shumë praën Berishës. Libri për Hunyadin që kanë botuar Balliu dhe Plasari mban shënimin: «Përkthimi u krye nën kujdesin dhe mbrojtjen e Ministrisë së Jashtme të Rumanisë». Pra, kemi të bëjmë me rastin kur një titullar institucioni në varësi të kryerministrit, si dhe një politikan praën qeverisë (Balliu) paguhen nga një qeveri e huaj (rumune) për të botuar një gjë që fyen një vend të tretë (Hungarinë). Berisha nuk mund të mos reagojë në këtë rast. Nuk u ngop Fahri Balliu me paratë që merr duke përcaktuar fituesit e tenderave të rrugëve, apo me paratë që merr nga Faslliçi, por tash filloi të marrë pare edhe ditën për diell nga Ministria e Jashtme e Rumanisë për të fyer Hungarinë, duke paguar dhe Plasarin për këtë gjë? 
    Berisha duhet të reagojë, ose mbetet që të thuhet se këto gjëra bëhen me dijeninë dhe miratimin e tij. Pse nuk e shkarkon Berisha Plasarin, që për më tepër nuk merret fare me detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, por siç ia tha me shumë inteligjencë Adi Krasta ditën e diel kur e kishte ftuar në emisionin e vet televiziv, merret me tre punë njëherësh, dhe për këta njerëz thuhet se i bëjnë keq të treja punët. Plasari në fakt bën së paku pesë punë njëherësh, se ai veç drejtor është pedagog i estetikës në fakultetin filologjik, është autor librash, përkthyes, si dhe punon në shtëpinë botuese të Fahri Balliut. Çfarë është ky Plasari monument kulture që ka prej qershorit 1998 që rri në postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. Plasarin e solli në këtë post Edi Rama dhe këtë e bërë me dashakeqësi për kulturën shqiptare. Plasari është një pseudointekeltual që e urren kulturën shqiptare. Mund të vërtetohet lehtësisht se miti i Plasarit-intelektual mbështetet ose në plagjiatura (në esenë «Vija e Teodosit rishfaqet» ka paragrafe të tëra-kyç të kopjuara nga libri i Roberto Morozzo De la Rocca «Feja dhe kombësia në Shqipëri»), libër që atëherë ende nuk ishte botuar në shqip, se novela e tij «Dhjetë ditë që nuk tronditën botën» është letërsi pornografike e dorës së tretë, se… e me çfarë tjetër mburret ky drejtor Plasari?
    Drejtor Plasari nuk e mban në mur në hyrje të ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare stemën zyrtare të Republikës së Shqipërisë, shqiponjën e zezë dhe përkrenaren e Skënderbeut. Plasari nuk e bën këtë gjë se nuk do që t’ i kujtohet çdo ditë kur hyn në bibliotekë se nuk po e nxjerr dot librin për Skënderbeun, të cilin e ka trumbetuar prej dhjetë vjetësh se do ta botojë. Plasari e bën këtë gjë se e urren Skënderbeun, gjë që u dëshmua edhe në një artikull që ai botoi për Skënderbeun në 8 dhjetor të këtij viti në gazetën «55» ku vazhdon procesin e dekonstruksionit të mitit të Skënderbeut, por kjo nuk është temë e këtij shkrimi. Stema zyrtare e Republikës së Shqipërisë me përkrenaren e Skënderbeut gjendet në hyrje të ndërtesës së Komunitetit Musliman Shqiptar, por nuk është në hyrje të ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare?!

2008



Related Posts: