Home »
» Kolonializmi serbo-sllav mbi Shqipërinë Etnike është krim ndërkombëtar
Kolonializmi serbo-sllav mbi Shqipërinë Etnike është krim ndërkombëtar
Të mos keqkuptohemi dhe të mos keqinterpretohemi për qëllime të ndryshme të kulltukofagëve të politikës ditore kozmopolitiste, se gjoja ata që po kërkojnë ribashkimin kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, “janë destabilizues të sigurisë dhe të paqes rajonale”, sepse kjo është tezë akuzuese serbo-sllave. Kjo nuk është fare e vërtetë, por është një gënjeshtër ordinere e politikës dhe e propagandës serbo-sllave, që në mënyrë koherente dhe kohezive është në funksion të shkatërrimit dhe të mohimit të identitit kombëtar, shtetëror dhe territorial të Shqipërisë Etnike dhe të shqiptarëve në Ballkan (1878-2012)
Shkruan: Prof. dr. Mehdi HYSENI
Pse politika kozmopolitike shqiptare për motive të pakuptueshme po e heshtë problemin e pazgjidhur kolonial shqiptar në Ballkan është çështje në vete dhe për vete. Mirëpo, shkenca shqiptare nuk e gëzon një “privilegj” të këtillë mbi asnjë bazë qoftë morale, qoftë politike a shkencore. Përkundrazi, e ka për detyrë jo vetëm që ta korrigjojë, ta ndërtojë, por edhe ta artikulojë një politikë të këtillë mbi baza shkencore, strategjike, politike dhe kombëtare. Çështja koloniale shqiptare në Ballkan, nuk është vetëm çështje monopoli e elitave politike zyrtare shqiptare dhe e bizneseve tregtare, por edhe e shkencës, e inteligjencies dhe e gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë Etnike. Si politika e “lartë”, ashtu edhe shkenca “e dremitur” shqiptare nuk kanë asnjë arsye të qëndrueshme që në vend se ta quajnë, dhe ta stigmatizojnë me emër të vërtetë kolonializmin serbo-sllav mbi Shqipërinë Etnike, të përdorin eufemizma të ndryshëm politikë dhe apolitikë, të cilët jo vetëm se e abstrahojnë, por edhe e justifikojnë fenomenin e kolonializmit serbo-sllav para politikës ndërkombëtare. Thjesht, përderisa politika zyrtare shqiptare në asnjë kërkesë të saj, nuk e parashtron me theks të posaçëm problemin e kolonializmit serbomadh mbi Kosovën dhe tokat e tjera shqiptare, domethënë ai me vetëdije të plotë heshtet, përkatësisht nuk ekziston fare si i tillë. Andaj, me arsye shtrohet pyetja, pse dikush tjetër, të dalë, dhe të pohojë para botës, se në Kosovë dhe në viset e tjera autoktone shqiptare sundon terrori dhe kolonializmi sllav, kur ne, kemi plotësisht të drejtë dhe fundja e kemi për detyrë që vetë ta luftojmë dhe ta bëjmë çështje në mënyrë permanente para bashkësisë ndërkombëtare këtë dukuri të shëmtuar të botës së qytetëruar. Meqë, të gjithë jemi në dijeni se në Ballkan, nuk mbretëron kurrfarë “terrorizmi shqiptar”, por kolonializmi terrorist serbo-sllav, atëherë pse po i mbyllim sytë para ndërrimit dhe imponimit të kësaj teze famëkeqe dhe akuzuese, (edhe politika, edhe shkenca shqiptare) të cilën propaganda shoviniste serbomadhe sllave po e përdorë si instrumentin më të përshtatshëm politik dhe propagandistik, jo vetëm për t’i murkulluar të gjitha mëkatet dhe veprat gjenocidale shekullore të kryera ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike, por edhe për t’i “rinovuar” ato si “vlera demokratike” në favor të trendëve më të reja të integrimeve rajonale ballkanike dhe evropiane. Derisa heshtim dhe e sakrifikojmë në mënyrë irracionale të vërtetën historike shqiptare, atëherë nolens volens armiku kolonialist serbo-sllav këtë po e kapitalizon në favor të politikës së tij, si shprehje të “ligjshme” dhe si të “drejtë pushtuese” mbi Kosovën dhe Shqipërinë Etnike, e cila me çdo kusht (sikurse gjatë historisë së deritashme falsifikatore 1878-1999), duke mos zgjedhur mjete as metoda, as aleatë ( ballkanikë, lindorë a perëndimorë evropianë), por vetëm duke marrë për bazë gojëdhënat, legjendat, mitologjinë “e ligjshme”, të shkruara nga “klerikët e baltës”, si edhe fenomenin e shpifur “terrorizëm shqiptar”, po orvatet ta anulojnë të drejtën e natyrshme historike të ligjshme-të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve për të dalë nga kthetrat e përgjakshme të kolonializmit dhe të imperializmit shekullor sllav në Ballkan. Mirëpo, të gjitha këto përpjekje të diplomacisë dhe të propagandës së regjimit të egër kolonialist sllav, që shqiptarët dhe territoret e tyre etnike, t’i mbajë edhe më tej me dhunë nën juridiksionin kolonial, ligjërisht, sipas së drejtës ndërkombëtare dhe rendit juridik pozitiv ndërkombëtar, janë të dënueshme, se përbëjnë vepër penale (krim) ndërkombëtar. Këtë postulat të së drejtës ndërkombëtare, e di mirë edhe politika dhe shkenca serbe, (sikurse që e dinë edhe më mirë, edhe aktorët kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare, mirëpo nuk janë të gatshëm, as të vullnetshëm që atë ta vënë në “rend dite”, si rrjedhim i mungesës dhe i miopisë së forcës centrifugale të politikës dhe të diplomacisë shqiptare, e cila dita-ditës po vetëviktimizohet dhe po shterohet, duke “vrapuar” që të zërë “trenin e fundit” të standardizimeve teknike dhe të integrimeve hibride rajonale, të cilat për nga përmbajtja e tyre në afat të gjatë, përjashtojnë mëvetësimin dhe të drejtën e vetëvendosjes së Shqipërisë Etnike në favor të politikës dhe të sundimit të kolonializmit serbo-sllav). Gjatë historisë së deritashme të marrëdhënieve shqiptare-serbe, asnjëherë nuk e ka pranuar këtë të vërtetë shkencore, dhe se nuk është duke e pranuar, as sot, në shekullin XXI, sepse kundërveprimi i politikës së jashtme dhe i diplomacisë, si dhe i shkencës shqiptare në mohimin e së “drejtës pushtuese” serbo-malazeze ndaj tërësisë së Shqipërisë Etnike, në vijimësi ka qenë dhe, sidomos sot është tejet heterogjen dhe i zhbalancuar, që fatkeqësisht i ngjet një anijeje të fundosur në cektinë, si pasojë e avarisë së “motorit të brendshëm” të saj. Kjo ka për pasojë përçarjen dhe mosunitetin e politikës sonë shqiptare, në veçanti që nga gjysma e dytë e shekullit XX.
Aneksimi i gjysmës së kombit shqiptar
Aktorë të krimeve erga omnes mbi Shqipërinë Etnike janë Serbia, Mali i Zi, FYROM-i dhe Greqia, e jo kurrsesi shqiptarët e kolonizuar nën “ombrellën” e tyre të skuqur imperialiste (1878-2012). Për t’i bindur aktorët sllavë (Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe FYROM-in), se vetë janë ushtrues dhe bartës kryesorë të terrorizmit dhe të krimeve ndërkombëtare mbi popullatën e pafajshme shqiptare dhe mbi tokat e tyre stërgjyshore të Shqipërisë Etnike, erga omnes krime cilësohen ato, që përveç rrezikimit të marrëdhënieve ndërshtetërore rajonale, pa dyshim rrezikojnë edhe paqenë e sigurinë ndërkombëtare, është e domosdoshme, që të shërbehemi (briefli) vetëm me gjuhën dhe në fuqinë e argumenteve shkencore historike, juridike dhe politike. Sipas Nenit 19, pika 2 të Projektrregulloreve të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare, krim ndërkombëtar konsiderohet: “vepra e kundërligjshme ndërkombëtare e ndonjë shteti, që rezulton si pasojë e shkeljes së detyrimit ndërkombëtar, i cili ka rëndësi të jashtëzakonshme për mbrojtjen e interesave kryesore të bashkësisë ndërkombëtare, cenimi i së cilës njihet (sanksionohet) si krim nga ana e kësaj bashkësie në tërësinë e saj të përkufizuar. Përpos pikave 2 dhe 3 të Nenit 19, të theksuar, edhe sipas rregullave në fuqi të së drejtës ndërkombëtare, krime ndërkombëtare përbëjnë edhe: (i) cenimi flagrant i ndonjë detyrimi ndërkombëtar me rëndësi të veçantë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare, si dhe detyrimet që ndalojnë agresionin; (II) shkelja e rëndë e së drejtës së vetëvendosjes së popujve, si dhe e atyre të drejtave, që e dënojnë krijimin dhe sundimin me forcë të zotërimit kolonial; (III) mosrespektimi i normave që sanksionojnë robërinë, aparteidin dhe gjenocidin; (IV) shpërfillja e normave që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe me ruajtjen e ambientit të njeriut, si dhe të atyre që e ndalojnë ndotjen masive të atmosferës dhe të deteve.”( Yearbook of the International Law Commission,1975, vol.II, p.55-59; Yearbook of the ILC, 1980, vol.II, part 2, p.30; “State Responsibility and the Unmaking of International Law”: in Harvard International Journal, no.29, 1988, p.1; “International Responsibility” by E. Jimenez de Arechaga, in Manual of Public International Law, London, 1968, p. 531, 534).21
Sa më sipër, sipas rregullave dhe normave të së drejtës ndërkombëtare, ndër të tjera, krime ndërkombëtare konsiderohen: “agresioni, zotërimi kolonial me forcë, gjenocidi, robëria dhe aparteidi, si dhe piratëria në detin e hapur(sipas së drejtës klasike ndërkombëtare).” (G.Gilbert, “The Criminal Responsibility of States”, ILC(39), 1990, p.345; )
Për t’i rikujtuar kryerësit-atavistë sllavë (si dhe mbështetësit e tyre, të brendshëm dhe të jashtëm) se të gjitha këto lloje të krimeve antishqiptare dhe antinjerëzore i kanë kryer ndër shekuj në dëm të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, si dhe në dekadën e fundme të shekullit XX (1989-1999) e deri më sot të fillimshekullit XXI (2012), është e domosdoshme, që të japim një kronologji shumë të shkurtër faktografike të historisë politike dhe gjeopolitike të etapave më karakteristike të procesit të kolonizimit dhe të aneksimit të gjysmës (50%) së kombit shqiptar dhe të territorit indigjen të Shqipërisë Etnike nga ana e Serbisë, e Malit të Zi, e FYROM-it dhe e Greqisë.
S’ka dyshim se rrënjët e së keqes së kolonializmit të shteteve të theksuara serbo-sllave, kanë zënë të shtrihen në thellësinë dhe në gjerësinë e tokës etnike shqiptare definitivisht ( de facto dhe de jure) që nga vendimet famëkeqe antishqiptare të Kongresit të Berlinit (1878), kur fuqitë e mëdha evropiane gjysmën e territorit të Shqipërisë Etnike ia dhuruan “sihariq” Serbisë (Kurshumlinë, Bllacën, Vranjën, Leskovikun, Nishin, Preshevën, Bujanocin, Medvegjën, Kosovën, Shkupin, Tetovën, Strugën, Dibrën, Kumanovën, Manastirin, Ohrin dhe tërë rajonin e Pollogut); Malit të Zi (Plavën, Gucinë, Hotin, Grudën, Ulqinin dhe Tivarin); Greqisë ( Çamërinë etj.). Duhet të nënvizojmë se, përveç tjetërsimit të paligjshëm të gjithë këtij territori kompakt shqiptar, Serbia dhe Mali i Zi, në të njëjtën kohë, bën spastrimin etnik të shumicës së këtyre trojeve, në veçanti të trevave të Kosovës Lindore, duke i vrarë, duke i djegur dhe, duke i shpërngulur shqiptarët nga vatrat e tyre ilirike-arbërore. Për të realizuar këtë projekt gjenocidal antishqiptar, Serbia dhe Mali i Zi, në veçanti përfitojnë nga transaksionet e Perandorisë Osmane (sulltanët e së cilës, pa kurrfarë të drejte morale, as ligjore ia patën “bërë teslim” Serbisë dhe Malit të Zi hiq më pak se 50% të vilajetit shqiptar. Mirëpo, serbët dhe malazezë, që sot e 100 vjet të shkuara, në asnjë mënyrë, nuk janë treguar mirënjohës as ndaj sulltanatit, as ndaj Turqisë së sotme. Përkundrazi, i konsiderojnë armiq sikurse edhe shqiptarët, natyrisht, duke i ndërruar tezat edhe në këtë rast konkret dhe, duke e vënë nën hipotekë të derisotme të “Sëmurin e Bosforit”, kinse, për shkak të simetrisë fetare, i ka favorizuar shqiptarët në disfavor të Bizantit mesjetar ortodoks. Kjo akuzë është aq vulgare dhe transparente, saqë nuk meriton elaborim të mëtejm, sepse vetë fakti që, edhe sot e asaj dite , shqiptarët dhe tokat e tyre ende kanë ngelur nën “kurorën” mizore të ortodoksizmit kolonial serbo-malazez, sheshit dëshmon se religjioni islam dhe pushteti sundimtar anadollak 500-vjeçar, ka qenë me “trup dhe me shpirt” në anën e favorizimit të elementit serb ortodoks, e jo të shqiptarëve, në asnjë mënyrë. Fatkeqësisht, historia e ka dëshmuar të kundërtën. Sikur të kishte qenë ashtu, siç pohojnë tezat e paqëndrueshme të politikës, të kuazishkencës dhe Kishës Ortodokse Serbe, Shqipëria Etnike, do ta kishte lirinë dhe pavarësinë e saj, që nga Kongresi i Berlinit, (1878) dhe të fuqive të mëdha evropiane. Këtë e provon edhe krijimi i Lidhjes së Prizrenit (1878) si antitezë historike, kombëtare dhe politike e pezullimit praktik të vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit në copëtimin, aneksimin dhe në pushtimin kolonial të trojeve etnike shqiptare. Mirëpo, aspiratat dhe lufta çlirimtare kombëtare e Lidhjes së Prizrenit për t’i rikthyer territoret e saj në zotërimin e titullarit të ligjshëm historik-shqiptarëve, ngelin të pakurorëzuara, për shkak të thyerjes së saj ushtarakisht nga Perandoria Osmane, si dhe nga Rusia dhe aleatët e saj. Kjo pati për pasojë që, në vazhdimësinë e mëpastajme historike, gjysma e shqiptarëve dhe e Shqipërisë Etnike të mbetet koloni e Serbisë, e Malit të Zi, e Greqisë (në kohën më të re, që nga viti 1990-2003) dhe e FYROM-it.
Luftërat e rezistencës kundër kolonizimit
Etapa e dytë e “rikonfirmimit “ (përmes represalieve dhe gjenocidit) të kolonizimit të Shqipërisë Etnike nga ana e imperialistëve serbo-sllavë, fillon të intensifikohet nga shtatori i vitit 1912, si dhe nga gushti i vitit 1913, si rrjedhim i vendimeve të kundërligjshme historike të Konferencës së Londrës (dhjetor 1912- gusht 1913), sipas të cilave Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë “ligjërisht” iu dhurua 50% e territorit autokton shqiptar, të cilin status kolonial serbo-sllav e ka edhe sot Shqipëria Etnike. Gjithashtu, vitet 1918-1919, shënojnë etapën e tretë të kolonizimit të Shqipërisë Etnike, sepse Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene, përmes krimeve të terrorit gjenocidal, tërësinë territoriale dhe të popullatës së saj shqiptare, e përthithin brenda kufijve shtetëror serbo-malazez. Një akt i këtillë kriminal (sipas së drejtës ndërkombëtare) ndërkombëtar i Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene është i dënueshëm edhe sipas neneve 20 dhe 22(4) të Konventës së Lidhjes së Kombeve (1919). Po ashtu, edhe gjatë viteve 1919-1941, shfaqet etapa e katërt e koloniazimit të Shqipërisë Etnike nga Mbretëria Jugosllave ( de facto dhe de jure Serbia e Madhe, kufijtë kolonialë të së cilës më pastaj, që nga viti 1945, i trashëgoi edhe Jugosllavia Socialiste(Serbia e Madhe) e Josip. B. Titos, e Dobrica Qosit, e Slobodan Milosheviqit, dhe e Vojislav Koshtunicës), që njëkohësisht ishte në kundërshtim flagrant me Konventën e theksuar të Lidhjes së Kombeve, sepse zyrtarisht, ajo deklarohet dhe trajtohet si koloni jugosllave, e cila popullohet me kolonistët serbë dhe me malazezë, boshatiset duke i vrarë dhe, duke i shpërngulur me dhunë, me terror dhe me gjenocid me qindra e mijëra shqiptarë kryesisht në Turqi. Duke filluar që nga Lidhja e Prizrenit (1878) e deri me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët kanë zhvilluar kryengritjet dhe luftërat e rezistencës kundër kolonizimit dhe rikolonizimit të Shqipërisë Etnike, këtë e dëshmon edhe Rezoluta e Konferencës Nacionalçlirimtare e Bujanit, më 2 janar 1944, sipas së cilës Kosova përkufizohej si shtet sovran dhe pjesë e pandashme e Shqipërisë Etnike. Mirëpo, (pjesërisht, Qeveria e Përkohshme Shqiptare e Vlorës së Ismail Qemalit, 28.XI.1912) nuk kanë arritur që t’i kurorëzojnë objektivat dhe imperativin e tyre të çlirimit, të ribashkimit dhe të pavarësisë së plotë politike, kombëtare dhe terrioriale, për shkak të agresioneve dhe ndërhyrjeve invaduese militariste të vendeve fqinje sllave, të ndihmuara drejtpërdrejt nga Perandoria Osmane, Rusia dhe Franca. Të gjitha fazat historike-politike të pushtimit kolonial të Shqipërisë Etnike nga ana e Serbisë së Madhe, dhe e vendeve të tjera fqinje sllave (FYROM-i dhe Greqia), sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, përbëjnë krim ndërkombëtar, që në vijimësi karakterizohet nga koherenca e gjenocidit, e agresionit, e terrorizmit, e aparteidit dhe e kolonializmit.





