Home »
» Antibashkimi është arma kryesore e rimëkëmbjes së sferës së interesit ruso-sllav në Ballkan
Antibashkimi është arma kryesore e rimëkëmbjes së sferës së interesit ruso-sllav në Ballkan
Të mjerë janë ata filoserbë, që për interesa të tyre personale promovuese, pushtetare, grupore, nepotiste, partiake, ideologjike, politike, ekonomike, financiare dhe tregtare po u bëjnë argatë agjenturave dhe shërbimeve të huaja për shpërfytyrimin-vrasjen e idesë shekullore të ribashkimit kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Një luftë e tillë e kuislingëve shqipfolës kundër bashkimit kombëtar shqiptar, pikësëpari, është në shpërputhje me të drejtën historike të shqiptarëve mbi Shqipërinë Etnike, me Kushtetutën e sotme të Shqipërisë (1998), si dhe me të drejtën e vetëvendosjes, si pjesë fondamentale e së drejtës ndërkombëtare
Shkruan: Prof. dr. Mehdi Hyseni
Përralla disavjeçare e filozofisë së mjerë e politikave zyrtare shqiptare në Ballkan se gjoja shqiptarët do të bashkohen në Evropë, është një utopi dhe mashtrim sui generis, që nuk përputhet në asnjë segment me realitetet e sotme të politikës integruese të BE-së. Po si mund të bashkohen shqiptarët në BE, kur qe 100 vjet ata nuk qenë në gjendje, që së pari si komb, si territor dhe si shtet, të bashkohen në Ballkan, ashtu sikurse popujt e tjerë fqinjë të Ballkanit?!
Tradhtia 100-vjeçare dhe bashkimi i shqiptarëve
Nuk ka dyshim se shqiptarët do bashkohen në Ballkan dhe në Evropën e integruar, kur të perëndojë tradhtia 100 e sa vjeçare ndërmjet njëri-tjetrit. Atëherë, do të fitojnë shqiptarët, Shqipëria Etnike, Ballkani dhe Evropa e integruar demokratike dhe paqësore. Ndryshe, do të vazhdojë “kënga e vjetër” e sundimit dhe e dominimit kolonial 100-vjeçar ruso-sllav mbi kombin dhe mbi shtetin e copëtuar shqiptar në Ballkan si këtu e njëqind vitet e shkuara (1912-2012). Duke mos llogaritur luftërat dhe kryengritjet mëparshme qindravjeçare, shqiptarët, edhe në shekujt XIX , XX dhe XXI, ende po zhvillojnë luftë për lirinë, pavarësinë dhe ribashkimin e tyre (edhe si komb, edhe si shtet) natyral në dy fronte: 1) Kundër aleancës ruso-sllavo ballkanike dhe 2) Kundër filoserbëve kolaboracionistë “kalemxhinj” dhe “buçukxhinj”, të cilët kanë gjetur gjuhë dhe interes të përbashkët politik, ekonomik dhe tregtar me amalgamën ruso-sllave në Ballkan dhe, nuk zgjedhin mjete, as metoda për t’i anatemuar, shpifur, denigruar, denoncuar dhe përbaltur veprimtarët patriotë, demokratë dhe paqësorë shqiptarë, të cilët botërisht pa kursyer asgjë prej vetes, janë vënë në vijën e parë të frontit për mbrojtjen e së drejtës legjitime dhe historike të ribashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan. Duan të jetojnë të lirë dhe sovranë në shtëpinë e tyre të përbashkët, ashtu sikurse popujt e tjerë të Ballkanit dhe të Evropës, asgjë më shumë, as më pak.
-Tradicionalisht, qe më se 100 vjet, vetëm serbët dhe aleatët e tyre kolonialistë dhe imperialistë ballkanikë, pa asnjë të drejtë (për t’i ruajtur kolonitë e tyre shqiptare) e kundërshtojnë ribashkimin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike Natyrale, duke e cilësuar si “rrezik” dhe si “bombë përflakësh” të Ballkanit, ashtu siç vepruan paraprakisht, edhe me rastin e shkolonizimit dhe të njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Mirëpo, koha provoi të kundërtën-stabilizimin dhe qetësimin e Ballkanit. Tanimë Republikën e Kosovës e kanë njohur 90 shtete të bashkësisë ndërkombëtare. Ballkani nuk u dogj, por u dogj sundimi kolonial njëqindvjeçar i Serbisë në Kosovën e Shqipërisë, si dhe politika, propaganda dhe pseudoshkenca shpifëse e kolaboracionistëve komunistë dhe fashistë filoserbë. Kështu, do të ndodhë edhe me rastin e ribashkimit të Shqipërisë Etnike Natyrale, nuk do të përflaket Ballkani, por do të perëndojë përgjithmonë vetëm politika dhe praktika kolonialiste serbosllave në territoret etnike shqiptare, si dhe përgjithmonë do të vetëvritet tradhtia e kolaboracionizmit filoserb, e jo rajoni ballkanik e as vetë Shqipëria, siç po gënjen dhe po spekulojnë me paturpësi “qatipët” dhe “pazhët” e panderuar dhe të shtirur si “demokratë” të proceseve të reja integruese dhe demokratike të BE-së.
Prof. dr. Noel Malkolm: “Bashkimi i shqiptarëve nuk e kërcënon, as nuk e rrezikon Ballkanin, por e kundërta”
Këtë vlerësim objektiv dhe të qëndrueshëm, duhet ta mbajnë parasysh dhe, ta mbajnë mirë në mend, jo vetëm historiani Enver Bytyçi dhe kryeministri Sali Berisha, por të gjithë historianët, politikologët, diplomatët, shkrimtarët, politikanët dhe shtetarët( ministrat, kryeministrat dhe presidentët) shqiptarë, sepse kjo është e vërteta mbi përmbajtjen e ribashkimit kombëtar shqiptar dhe të efektivitetit të tij pozitiv, që në asnjë mënyrë nuk e rrezikon, por e qetëson dhe e paqëson Ballkanin. Kjo është e vërteta si dielli dhe si drita para së cilës shqiptarët nuk duhet t’i mbyllin sytë, sepse mund të verbohen dhe të vriten nga realiteti. Nuk ka tjetër alternativë, pos ribashkimit kombëtar, i cili është shpëtimi i vetëm i shqiptarëve dhe i Shqipërisë Etnike Natyrale.
Enver Bytyçi dhe Sali Berisha, ndryshe nga historiani i shquar Noel Malkolmi!
Miqtë tanë amerikanë dhe evropianë ndërkombëtarë sikurse Noel Malkolm mbështesin bashkimin kombëtar shqiptar, kurse disa Enverë Berishistë me “kruzhokët” e tyre e mohojnë vetveten!? Çfarë t’i thuhet më tepër këtij fenomeni negativ shqiptar veçse logjikë e robit, që është regjur të ushqehet me karremat dhe me nusproduktet e “fabrikave” të huaja agjenturore antishqiptare. Në dhjetorin e vitit 201, pata rastin të lexoj një artikull të keq me titull “Bashkimi kombëtar, cila alternativë: Konflikti apo integrimi?!”, të publikuar në www.gazetastandard.com, të shkruar nga Enver Bytyçi, përmbajta e të cilit, mjerisht, nuk thotë asgjë origjinale, asgjë të faktuar, asgjë të mençur, asgjë racionale, asgjë vizionare, asgjë konkrete dhe të argumentuar, asgjë të saktë, të vlefshme dhe të dobishme për interesin e përgjithshëm të ribashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike Natyrale, por në forma përimituese të politikës, të diplomacisë dhe të propagandës serbomadhe dhe të aleatëve të saj, jo vetëm se tenton të vërë në pikëpyetje të drejtën historike dhe legjitime të shqiptarëve për ribashkim në një shtet të vetëm-Shqipërinë Etnike Natyrale, por edhe e shpif atë në skajshmëri se gjoja në thelb përbën “konflikt” dhe “rrezik” të madh për shqiptarët dhe për tërë Ballkanin. Përmbajtja e këtij artikulli provokues me ambicie të sëmura politike, karrieriste dhe propagandistike (përshtatur rrethanave të politikës ditore dhe përfitimit e promovimit personal) të kontestimit të ribashkimit kombëtar shqiptar si në planin e politikës së brendshme, ashtu edhe asaj ndërkombëtare, në mënyrën më të simplifikuar (shprehur popullorçe) do të thotë: 1) Nëse jeni për ribashkim kombëtar, domethënë jeni për konflikt me armiq dhe, për konfrontim me miq dhe, 2) Nëse jeni për integrim në BE, atëherë “mbylleni gojën”, mos e kritikoni Sali Berishën e as “rebelët” e tij për antibashkim kombëtar! - “Shumë mirë”!- Shqip, kësaj i thonë "lueje macë kryet e buellit"-VETËMOHIMI NUK KA BRIRË!!! - Ky është mesazhi politik i përmbajtjes së artikullit të Enver Bytyçit me titull “Bashkimi Kombëtar, cila alternativë: Konflikti apo integrimi?!” Ndryshe, nuk do t’i diktonte POPULLIT të kolonizuar shqiptar “variantin shpëtimtar” të tij ( si historian) dhe të Sali Berishës si kryeministër, -JO ribashkimit të tij dhe të Shqipërisë Etnike Natyrale, sepse sipas filozofisë së tyre të mjerimit “politiko-shkencor”, ky do të “shkaktonte apokalipsin” e shqiptarëve dhe të Ballkanit!? Kjo tezë akuzuese ruso-serbe antishqiptare, është e njohur që më se 100 vjet (1912-2012), e cila është në funksion të mohimit të së drejtës historike dhe të së drejtës së vetëvendosjes së kombit shqiptar mbi Shqipërinë Etnike.
Strategjia e “Platformës së Shqipërisë Natyrale” të dr. Koço Danajt
-Kjo është “alternativa shpëtimtare” sugjeruese për popullin shqiptar të aneksuar, të copëtuar dhe të robëruar nëpër rezervatet kolonizuese të amalgamës sllavo-bizantine në Ballkan?!
-Jo, jo, njëqind herë JO! Por alternativa e ligjshme për shpëtimin e shqiptarëve nga robëria kolonialiste shekullore e Serbisë, e Malit të Zil e IRJM-së dhe e Greqisë, është ribashkimi kombëtar shqiptar në mënyrë demokratike dhe paqësore, ashtu siç parashikon strategjia e “Platformës së Shqipërisë Natyrale” të dr. Koço Danajt, ku ndër të tjera, thuhet: “Shqipëria natyrale është mirëqenie, dinjitet, qetësi, ofertë paqeje dhe stabilitet në rajon. Këto ua kemi borxh fëmijëve, nipërve dhe mbesave tona. Prandaj në emër të tyre le ta bëjmë atë. Shqipëria natyrale do të thotë sa më pak grekë, maqedonas, italianë, turq me origjinë shqiptare dhe sa më shumë shqiptarë me mentalitet evropian, progresist. Prandaj, në emër të tyre e kemi për detyrim kombëtar sendërtimin e Shqipërisë Natyrale.? ( Koço Danaj, 2009: 52).
Pra, nuk ka asnjë dyshim se me këtë formulë sakat antishqiptare si në kuptimin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, para së gjithash, do të pajtohej Beogradi, Podgorica, Athina dhe Shkupi, sepse do t’u ndihmonte që, edhe në shekullin XXI, ta mbronin plaçkën e tyre koloniale me përmbajtje shqiptare.
Duke qenë se Enver Bytyçi paska shumë dilema, dyshime dhe paqartësi për ribashkimin kombëtar, i sugjeroj që, së pari, ta lexojë dhe studiojë vëmendshëm “Platformën e Shqipërisë Natyrale” të Dr. Koço Danajt, të botuar në Tiranë, më 2009, se aty do ta gjejë përgjigjen e saktë historike, politike, diplomatike, juridike demokratike dhe paqësore, se si duhet shtruar dhe, se si duhet zgjidhur çështjen kombëtare shqiptare.
Vërtet, sikur historiani Enver Bytyçi, paraprakisht, të paktën Kushtetutën e Shqipërisë(1998), Platformën për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1998) dhe “Platformën e Shqipërisë Natyrale” të Dr. Koço Danajt (2009), mirëfilli, nuk do ta kishte mbështetur politikën antibashkim të kryeministrit Sali Berisha, as nuk do t’i kishte akuzuar shqiptarët (kinse me forcë po duan ta zgjidhin çështjen kombëtare shqiptare. Mirëpo, kjo akuzë është shpifëse dhe gënjeshtër ordinere, sepse askush prej shqiptarëve nuk ka deklaruar e as nuk ka shkruar se ribashkimin do e bëjnë, duke shkaktuar konflikte të armatosura guerile, apo luftë frontale) për mbështetjen e arsyeshme dhe të domosdoshme të ribashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike Natyrale, sepse aty do ta gjente përgjigjen e saktë, pse dhe, si duhet bërë ribashkimi kombëtar shqiptar.





