Home »
» "Na ka humbur rruga n'oborr"
"Na ka humbur rruga n'oborr"
A thua ishte aq e vështirë që pasuesit e Rugovës dhe Xhaferit ta vazhdojnë një rrugë të shtruar aq mirë, rrugën e miqësive të përhershme me fuqitë perëndimore, rrugën e vlerave dhe civilizimit perëndimor…
Shkruajnë: Ardian Coli dhe Edmond Demaj
Pjesa më e madhe e popullit shqiptarë i quajti gandët e kombit dhe Ballkanit, e po ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare pati një vlerësim të jashtëzakonshëm për ta. Fjala është për presidentin historik Ibrahim Rugova dhe liderin matanë kufirit, Arbën Xhaferi. Të dy këta u cilësuan si politikanë të urtë, mendjendritur dhe vizionarë. Ibrahim Rugova i cili me urtësinë dhe orientimin e tij pro-perëndimor arriti ta krijojë një unitet të jashtëzakonshëm në politikën ndërkombëtare për ta përkrahur popullin tonë në rrugën e lirisë, po ashtu pas çlirimit të vendit vazhdoi partneritetin duke forcuar aleancat dhe lidhjet me Perëndimin. Kjo u vërejt edhe në varrimin e tij ku morën pjesë burrështetas nga e gjithë bota. Arbën Xhaferi, një politikan vizionar me një analitikë të jashtëzakonshme, kishte orientuar gjithë politikën e tij drejt rrugëve, vlerave dhe civilizimit të Perëndimit dhe mundohej ta instalonte këtë orientim në të gjitha qarqet shqiptare me interpretimin që i bënte. Asokohe, Arbën Xhaferi në një intervistë pati thënë se shqiptarët nuk duhet as të marrin pjesë nëpër samitet islamike, jo për ndonjë inat, por për shkak të orientimit të cilin e kishte zgjedhur tashmë. Sepse, dihet se në samite dilet me konkluzione mbi të cilat palët duhet të vendosin nënshkrimet e tyre, nënshkrime të cilat sigurisht do të ishin në kundërshtim me vizionin, të cilin së paku në mënyrë retorike i gjithë spektri politik shqiptar e vë si orientim pro vlerave perëndimore, anëtarësimit në NATO dhe BE. Për të qenë më konkret, Arbën Xhaferi thoshte se shqiptarët nuk mund të kenë standarde të dyfishta, ku në njërën anë të punojnë për integrime evropiane dhe në anën tjetër të përqafojnë kulturën, traditën dhe aleancat me shtetet islamike.
Si u ndoq koncepti politik i dy liderëve
Çfarë ndodh në ditët kur asnjëri nga të lartpërmendurit nuk jetojnë më? Si u ndoq dhe u zhvillua koncepti i tyre politik, qasja dhe orientimi i tyre? A thua ishte aq e vështirë që pasuesit e tyre ta vazhdojnë një rrugë të shtruar aq mirë nga paraardhësit e tyre, në rrugën e miqësive të përhershme me fuqitë perëndimore, në rrugën e vlerave dhe civilizimit perëndimor dhe në rrugën drejt kthimit në familjen e madhe evropiane, aty ku edhe e ka vendin kombi shqiptar. A thua më e lehtë ishte të devijohet nga kjo rrugë? Në kohën që ne po jetojmë, përgjigja del të jetë që më lehtë është të devijohet. Në kohën kur kombit shqiptar, jo si luks, por si themel i duhen Gjergj Kastrioti dhe Nënë Tereza, dhe shtatoret e tyre nëpër sheshet e kryeqendrave, si: Tirana, Prishtina e Shkupi që tinëzisht përbuzeshin. Por, koha vazhdon ta tregojë se Gjergj Kastrioti dhe Nënë Tereza mund të jetonin edhe pa këto tri qendra dhe pa këto vende, sepse e gjithë bota i mbante dhe vazhdon t’i mbajë e ti respektojë si figurat më të ndritura, por nuk mund të jetonin këto tri qendra pa këto dy figura dhe shtatoret e tyre, emrat e rrugëve dhe institucioneve të cilat duhej t’i mbanin emrat e tyre, deshëm apo nuk deshëm ne. Këto ishin figurat që i jepnin vlerë të veçantë kombit shqiptar, figura të cilat vazhdojnë ta bindin botën se kombi ynë meriton respekt të veçantë. Problemi fillon te sjellja dhe dalja jonë nga rruga të cilën e servuan gandët Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi. Dalja e jonë nga binarët fillon me figurën e Gjergj Kastriotit, të cilën institucionet në Tiranë e përbuznin në vizitat e zyrtarëve nga Turqia. Kur delegacionet turke ia mësyn Tiranës, Qeveria, Ministria e Jashtme, Parlamenti e herë-herë edhe Presidenca, pa fijen e dinjitetit, duhet ta zhvendosin bustin e Kastriotit nga sallat e takimeve. Me sa duket, edhe pse pa kalë dhe pa shpatë, më pak i rrezikshëm, prapë ishte i bezdisshëm për delegacionet e shtetit të sotëm turk gjashtëqind vjet më vonë. Si për çudi, afërsisht kjo ndodh edhe në qendrat tjera shqiptare, kur shtatorja e Kastriotit arriti në Shkup qindra shqiptarë e pritën me shumë gëzim, por pati dhe të atillë që në xhaminë e Shkupit pëshpëritnin kundër saj dhe kundër madhështisë së tij, duke e quajtur agjent të Evropës së krishterë, bukëpërmbysës i Sulltanit etj. Pikërisht e njëjta ndodhi në atë kohë dimri në Prishtinë, edhe pse jo në atë shkallë sa në xhaminë e Shkupit. Devijimi tjetër ndodh me figurën e Nënë Terezës. Përderisa bota e vlerëson dhe e pranon si Shenjtëreshë dhe nënë, prapë po ne shqiptaret ishim ata të cilët nuk dëshironim ta pranonim si bijën dhe nënën tonë, e assesi si Shenjtëreshë, por e quanim me emrat, fyerjet dhe ofendimet më të pashembullta, si në Shkup, po ashtu dhe në Prishtinë. Por, siç u përmend më lart, këto dy qendra nuk mund të jetonin pa të, sikur që mund të jetonte kjo pa to, dhe detyroheshin t’i ngrinin buste jo për respektin, e as për turpin e tyre, por sa për ta përmirësuar imazhin në sytë e botës. Frikësohemi se nëse vazhdohet kjo rrugë e humbur, atëherë në një të ardhme të afërt do ta largojmë edhe figurën e Adem Jasharit e të tjerëve me radhë nga frika se mos po ofendohet Serbia. Devijimi tjetër me radhë vjen nga politika kosovare, e cila figurën e Ibrahim Rugovës e endte prej një skaji në tjetrin, varësisht prej disponimit të aktorëve politikë në ato momente dhe përkundër faktit që bota e respektonte dhe fliste në superlativ për të. Njeriu që me urtësinë dhe mençurinë e tij krijoi miq si ish-presidentin Klinton, ish-kryeministrin Toni Bler, zëvendëspresidentin e tashëm Xho Bajden etj., të cilët edhe sot nuk e harrojnë Kosovën, falë respektit që kanë për të ndjerin, president Ibrahim Rugova.
Kah po shkojmë?
Devijimi tjetër, fatkeqësisht sa për t’i mbrojtur ato të parat, vjen deklarata e pasuesit të Arbën Xhaferit, i cili në një tubim publik thotë se në Maqedoni nuk është vendi i koncepteve dhe orientimeve perëndimore e kishtare, por është vendi ku thuhet Allahu Egber. Sa për ta sqaruar, nuk jemi aspak kundër që të lartësohet emri i Zotit, sidoqoftë nga kushdo qoftë, sepse më shekuj ne jetojmë mjaft mirë bashkë me kisha e xhamia, dhe kjo s’ishte as nuk duhet të jetë aspak problem për shqiptarët. Jemi kundër politikanëve që nuk merren me çështjet kombëtare, por merren me atë që as prijësit fetarë nuk merren, edhe pse është profesion i tyre. Jemi kundër, siç besojmë edhe shumica shqiptare pa dallim feje, që ne t’i krijojmë çerdhet e liderit radikal islamik, Omar Bakri.
A thua mendojnë këta njerëz se si mund të na ndihmojë njeriu më i kërkuar nga Amerika, Anglia, Gjermania, e kështu me radhë! Ky i fundit pak ditë më herët doli me një deklaratë, kur thoshte se tani është koha që të bëjmë aksione edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Ku ishte ky Omar Bakri më herët që nuk i çliroi shqiptarët sa ishin të pushtuar? Nga kush dëshiron t’i çlirojë shqiptarët ky? Interes dhe qëllim i kujt është që të njolloset njëri nga kombet më të vjetra dhe më të pastra në Evropë? Kur themi që jemi kundër kësaj dëshirojmë të themi se është më mirë ta ndjekim rrugën e Ibrahim Rugovës dhe Arbën Xhaferit, dhe t’i themi këtij Omarit dhe të gjithë atyre Omarëve të tjerë se shqiptarët nuk kanë nevojë për ndihmë prej terroristëve si ai, se e kanë Amerikën dhe Evropën që e bëjnë atë punë. T’i themi këtij Omarit se neve nuk na mundon feja, se feja e shqiptarit është shqiptaria. Disa politikanë në skenën politike kosovare sot shihen nga një kënd refuzues për bashkëpunim nga ndërkombëtarët. Ka të atillë që i kanë keqësuar raportet me Ambasadën amerikane, të atillë që kritikohen nga deputetët evropianë, të atillë që u kërkohet publikisht dorëheqje nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, për shkak të lidhjeve të dyshimta me Rusinë armike. Në kohën kur Turqia arriti ndarjen e famshme të kohës, e cila i ndau shqiptarët në tri fe, atë katolike, ortodokse dhe myslimane dhe në kohën kur më të vërtetë rrezikohej gjithçka dhe vetë kombi shqiptar, ndodhi mrekullia, shqiptarët i harruan të gjitha pikëpamjet fetare për t’u bashkuar rreth kombit dhe për t’ia bërë me dije Turqisë që shqiptarët do të rrojnë dhe më tej, pa marrë parasysh se në cilën fe i luten dhe e lartësojnë Zotin e tyre. Në vend që delegacionet turke të ndihen keq për veprat e paraardhësve te tyre, ata kërkojnë që ne ta largojmë nga historia një ndër figurat më të respektuara në Evropë. Historia nuk ndërrohet. Vallë, kaq kohë më vonë në këto rrethana a do të dinë shqiptarët t’i kthehen rrugës së vjetër për ta mbrojtur kombin e tyre, atë komb që ua dha Perëndia tamam si në këto vargje të ndaluara kohë më parë për shqiptarët në himnin e tyre: Se Zoti vetë e tha me gojë, se kombet shuhen përmbi dhe, por Shqipëria do të rrojë, për të, për të luftojmë ne. Apo dëshirojmë të mësojmë nga Atë Gjergj Fishta, i cili i bëri thirrje Evropës në Konferencën e Paqes në Paris që të ndalte ato që ai i quajti mizoritë e kristianëve serbë dhe grekë kundër shqiptarëve. E çuditshme se si në ditët e sotme shqiptarët nuk mund të tregojnë emancipim as afër atij çfarë treguan paraardhësit e tyre. Kah po shkojmë?





