Home »
» Rruga kah Evropa është përplot me gropa!
Rruga kah Evropa është përplot me gropa!
Angazhimi, qasja dhe seriozitetit me të cilin i jemi rrekur këtij procesi lë shumë për të dëshiruar
Shkruan: Afrim BERISHA
Titullin e këtij shkrimi, e nxora nga një fjali e të një moshuari, që më rastisi ta dëgjojë teksa komentonte zhvillimet e fundit në përmbushjen e obligimeve në procesin e integrimeve evropiane. “Mixho, rruga kah Evropa është përplot me gropa. Ka me na ardh’ shpirti te hunda derisa të hyjmë në Evropë”, kështu i thoshte plaku bashkëbiseduesit të tij. Ai, kishte të drejtë dhe të jepte përshtypjen se i kishte kuptuar shumë mirë problemet dhe sfidat që sjell procesi i integrimit evropian. Madje, ai dukej më largpamës se shumica e politikanëve tanë që çështjen e integrimeve evropiane e shohin më shumë si çështje teknike. Nuk dua të mohojë tërë progresin dhe të arriturat e deritanishme që janë bërë në procesin e integrimeve evropiane, por angazhimi, qasja dhe seriozitetit me të cilin i jemi rrekur këtij procesi lë shumë për të dëshiruar. Njëra nga sprovat e para në procesit e integrimeve Evropiane ishte edhe publikimi i Raportit nga Studimin e Fizibilitetit nga Bashkimi Evropian dhe kushtet që i janë vënë Kosovës për të filluar negociatat me BE-në për marrëveshjen Stabilizim-Asociimit.
Përmbushja e standardeve evropiane
Përkundër faktit se çështja e integrimeve evropiane kërkon hartimin e ligjeve dhe përshtatjen e tyre me direktivat e Bashkimit Evropian, kontrollin e integruar të kufijve, fqinjësinë e mirë, luftën kundër korrupsionit, procesin e riatdhesimit etj., nuk duhet që vëmendja e institucioneve tona të përqendrohet vetëm në këto fusha. Shumica e këtyre sfidave janë të karakterit teknikë, që me një përkushtim dhe me investime mundë të përmbushen. Nuk duhet harruar fakti se çështjet shumë të rëndësishme në procesin e integrimeve janë plotësimi i standardeve evropiane në të gjithë sektorët. Përmbushja e tyre do të na bënte të jemi qytetarë të barabartë dhe konkurrentë me të gjithë qytetarët të tjerë të Evropës, kurse shtetin e Kosovës do ta bënte vend të denjë dhe atraktiv për jetë. Të rikujtojmë se procesi i integrimit evropian përmbledh në vete pothuajse të gjitha aspektet e veprimtarisë së një shteti që nga reformat politike, ligjore, ekonomike, industriale, (në disa raste edhe sociale e kulturore), e deri tek plotësimi i standardeve dhe normave shumë specifike në të gjithë sektorët zhvillimorë dhe shoqëror.
“Gropat” në rrugën drejt Evropës, të cilave i referohej mixhoku nuk janë thjesht gropa që mundë të rrafshohen duke u mbuluar me asfalt apo beton, nuk janë gropa që mundë të mbulohen me rërë që nxirret pamëshirshëm nga lumenjtë tonë e as me zhavorr që gërryhet nga kodrat tona. Ato janë “humnera”, “hendeqe” e “boshllëqe” në të gjitha sferat e jetës që shteti ynë duhet ti mbulojë me djersë, me punë, me veprime konkrete e me shembuj të mirë të zbatimit të ligjit. Në pamundësi që të ofrojë shembuj konkret për të gjitha standardet dhe normat evropiane që kërkohen në sektorë të ndryshëm do të mundohem të prezantojë këtu disa standarde për sektorin e mjedisit, pasi që në këtë sektorë kam njohuri dhe përvojë më të madhe. Fillimisht dua të rikujtojmë se kapitulli i mjedisit në kuadër të acquis communautaire, jo vetëm që është njëri ndër kapitujt më sfidues dhe më kompleks në aspektin e përmbushjes së obligimeve ligjore, por është edhe një nga kapitujt që kërkon më së shumti investime në përmbushjen e standardeve mjedisore. Kështu për shembull përmbushja e këtij kapitulli në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian i ka kushtuar Rumanisë rreth 20 miliard euro, ndërsa sipas përllogaritjeve që i është bërë procesit të integrimeve të 10 vendeve të fundit anëtare të BE-së, që e kanë kaluar këtë proces vlera e investimeve te kërkuara për kapitullin e mjedisit ka qenë prej 2-3 % e GDP-së kombëtare. Bashkimi Evropian sot i jep rëndësi shumë të madhe plotësimit të standardeve të ndryshme mjedisore por në qendër të vëmendjes ka disa prej tyre. Kualiteti i ajrit është një pikë shumë e ndjeshme e Bashkimit Evropian, për shkak se në ruajtjen e kualitetit të tij, BE-ja ka vënë një varg standardesh dhe limitesh për shumë parametra ndotës, përfshirë këtu Dyoksidin e Sulfurit, Dyoksidin e Azotit, Oksidin e Azotit, Grimcat e pluhurit etj. Në rastin e Kosovës, këto kufizime dhe standarde lëre që nuk përfillen nga ndotësit e ndryshëm por ende nuk i dimë saktë të gjitha këto tejkalime në tërë territorin e Kosovës. Bashkimi Evropian e ka në prioritetet e tij, që të gjithë qytetarëve t’u sigurojë qasje në ujë të pijes së kualitetit të mirë, të sigurojë cilësinë e ujërave në të gjithë trupat ujorë dhe të mbrojë ekosistemet ujore. Në rastin e Kosovës, ende ka probleme të theksuara në furnizimin me ujë të pijes, kualiteti i të cilit ende nuk i përmbush standardet e kërkuara, ndërkohë që ekosistemet ujore janë shndërruar në kolektorë të ujërave të ndotura. Në mbrojtjen e biodiversitetit si çështje me prioritet janë mbrojtja e llojeve te rrezikuara dhe ‘habitateve’ të tyre sikurse edhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i resurseve natyrore. Ne ende nuk kemi një vlerësim real për llojet e rrezikuara dhe ‘habitatet’ e tyre ndërkohë që shfrytëzimi i resurseve natyrore është krejtësisht jashtë aspektit të parimeve të shfrytëzimit të qëndrueshëm. Promovimi i parimit të reduktimit të sasisë së mbeturinave, riciklimi dhe ripërdorimi tyre është në prioritetet e Bashkimit Evropian që përmbushet përmes standardeve konkrete, ndërkohë që në Kosovë gjithnjë e më shumë kemi rritje të sasisë së mbeturinave të krijuara dhe shumica e të cilave deponohen në deponi sanitare.
Çështjet e mbrojtjes së mjedisit
Bashkimi Evropian e ka në qendër të vëmendjes përdorimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe reduktimin e burimeve fosile energjetike, ndërkohë që Kosova vazhdon të hartojë projekte, plane e strategji për prodhimin e energjisë nga linjiti. Standarde, norma dhe kufizime ka edhe në shumë segmente të tjera të mjedisit të BE-së, me të vetmin qëllim që të gjithë qytetarëve të saj t’i sigurohet një mjedis i pastër dhe i shëndetshëm. Janë rreth 20 direktiva të Bashkimit Evropian që rregullojnë çështjet e mbrojtjes së mjedisit, të cilat vendet që dëshirojnë të aderojnë në BE, duhet jo vetëm që ti bartin në legjislacionin nacional por edhe ti zbatojnë në përpikëri. Se sa larg jemi në përmbushjen e standardeve mjedisore në procesin e integrimeve evropiane e dëshmoi edhe Raportit nga Studimin e Fizibilitetit, ku në pjesën për mjedisin dhe ndryshimet klimatike ndër të tjera thuhet: “Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore, administrative dhe kapitale për zbatimin standardeve mjedisore dhe klimatike të BE-së. Përgatitjet janë në një fazë të hershme në fushën e kontrollit të ndotjes industriale dhe menaxhimit të rrezikut. Shumica e niveleve të ndotjes janë dukshëm mbi nivelet e BE-së. Impiantet energjisë së linjitit janë burimi kryesor i ndotësve të ajrit, me disa nivele që tejkalojnë disa herë limitet e BE-së dhe OBSH. Kosova ka vetëm një impiant funksional për trajtimin e ujërave të zeza. Nuk ka strategji dhe plan veprimi për ndryshime klimatike e as objektiva ekonomike, masa dhe politika për zbutjen e ndryshimeve klimatike”. Prandaj, Kosova nëse dëshiron ta ketë më të lehtë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, qysh tani duhet të mendojë seriozisht në përmbushjen e kërkesave dhe standardeve mjedisore të BE-së. Qysh tani duhet ta fillojmë punën në mbulimin e “gropave” në rrugën e integrimeve evropiane.
(Autori është MSc. Ekologji dhe Mbrojtje e Mjedisit - Qëndrimet në këtë shkrim janë personale.)





