ISMAIL KADARE TEK «DIMRI I MADH» RISHKRUAN HISTORINË SI NËPUNËS I MINISTRISË ORWELLIANE TË SË VËRTETËS






Rreth romanit të Ismail Kadare «Dimri i vetmisë së madhe», i botuar në 1973, dhe më pas i ribotuar i ripunuar në 1977, nën titullin «Dimri i madh», është ngritur një legjendë e vërtetë, sikur në këtë libër Kadare devijoi nga linja e regjimit komunist. Kjo legjendë është krijuar për shkak të kritikave që iu bënë Kadaresë për këtë roman, kur ai u botua për herë të parë në 1973. Vetë Kadare, e ka mbrojtur këtë vepër duke thënë se ai ka përshkruar të vërtetën historike, duke iu përmbajtur dokumen­teve, dhe se prishja me sovjetikët ishte një nga gjërat e mira që duhet t’i njihen Enver Hoxhës. Por e vërteta është se Kadare në këtë libër nuk u është përmbajtur dokumenteve, dhe i ka për­shkruar gjërat ashtu siç do të donte Enver Hoxha të kishin ndo­dhur. Së pari, Kadare, në romanin e vet i paraqet gjërat sikur zhvillohen në një periudhë shumë më të shkurtër se ç’ka ndodhurnë realitet, gjë kjo që është lehtësisht e provueshme. Si refe­rencë për të precizuar kufijtë kohorë të ngjarjeve në roman na shërbejnë dy episode, një në faqen e parë dhe një në faqen e fundit të romanit. Romani i Kadaresë, si në versionin e parë me titull «Dimri i vetmisë së madhe» ashtu dhe në versionin e dytë me titull «Dimri i madh», fillon kështu:
«Ditët e fundit të shta­torit u ngrit një erë e madhe, sha­kullima e së cilës vazhdoi dyzet e tetë orë pa pushim... Ishte fillimi i tetorit. Emisionet e lajmeve bëheshin përherë e më të gjata».[1]
Këtu është fjala për fundin e shtatorit dhe fillimin e tetorit të vitit 1960, siç kuptohet dhe nga rrjedha e ngjarjeve në roman. Romani «Dimri i madh» mbaron po duke përshkruar një erë të fortë, në fillim të marsit të vitit pasardhës, që u sjell ndërmend njerëzve erën e fortë të shtatorit të vitit të kaluar:
«Në fillim të marsit, pas një ere të stuhishme, furia e së cilës ia kalonte gjithë sqotave dimërore, mijëra njerëz hipën mbi çatira dhe tarraca për të rregulluar, përveç të tjerash, antenat e TV-ve, të shtrembë­ruara ose të rrëzuara prej saj. Qysh nga shta­tori i vitit që shkoi, një erë e tillë s’mbahej mend. Me jakat e ngritura për t’u mbrojtur nga thëllimi, njerëzit vështronin me vëmendje hekurat e zhveshura të antenave, sikur të kërkonin në to gjurmët e një lodhjeje të madhe.
Asnjëherë gjatë jetës së tyre ata nuk kishin dëgjuar kaq shumë lajme se këtë stinë dimri. Dhe ditë pas ditësh e net pas netësh, pa kuptuar as vetë se si, atyre u qe kri­juar përshtypja se pas gjithë atyre lajmeve, që antenat kishin mbledhur midis sqo­tës, pjalmit dhe kujës së erërave, hekurat e tyre do të ishin prishur e shtrembëruar prej kohësh.
Mirëpo ante­nat, vetë çatitë, ashtu sikurse gjithë peisazhi i gjerë përreth, kishin mbetur po ato. Ndoshta për këtë arsye, ndërsa bëheshin gati për të zbritur, njerëzit tundnin kokat sikur të thoshin: ‘megjithatë ç’dimër që ish’».[2]
Në këtë periudhë, nga tetori i vitit 1960, deri në fillim të mar­sit 1961, në romanin e Ismail Kadare kanë ndodhur: Mble­dhja e Moskës e 81 partive komuniste, ku Enver Hoxha mbajti fjalimin e vet në mbrojtje të Stalinit, largimi i flotës sovjetike nga baza ushtarako-detare e Vlorës si dhe prerja e marrëdhë­nieve diplomatike mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë. Në realitet këto ngjarje kanë ndodhur nga nëntori 1960 deri në dhjetor 1961, kur Bashkimi Sovjetik preu marrëdhëniet diplo­ma­tike me Shqipërinë. Ndërsa largimi i sovjetikëve nga Vlora ka ndodhur më maj-qershor 1961. Enver Hoxha, në Kongresin IV të PPSH, në shkurt 1961, tre muaj pas mbledhjes së Moskës, deklaroi: «Shqipëria, me gjithë rrethimin gjeografik kapitalist, nuk është një vend i izoluar nga kampi socialist. Ajo është pje­sëtare e denjë e këtij kampi, ajo është pjesëtare e Traktatit të Var­shavës, ajo ka miq të fortë e besnikë - vendet e kampit socia­list me Bashkimin Sovjetik në krye, ajo ka aleatë të gjithë popujt paqedashës dhe klasën punëtore të mbarë botës».[3]
Pra, Enver Hoxha donte ta mbante Shqipërinë si satelite të sov­jetikëve, por ishin këta të fundit që nuk donin për arsyet e tyre.
Dikush mund të thotë se në një roman, që është një vepër letrare ngjarjet historike mund të ndryshohen. Por vetë Kadare në librin «Kohë barbare» të shkruar bashkë me Denis Fer­nandez Recatala, thotë se ai bëri kërkime në dokumente që t’i pasqyronte ngjarjet sa më saktë: «Afërmendsh që për të shkruar ‘Dimrin e vetmisë së madhe’ kisha nevojë për dokumentacion lidhur me mbledhjen ndërkombëtare të partive komuniste që u mbajt në Moskë e në mbyllje të së cilës ndodhi ndarja e Shqi­përisë me Bashkimin Sovjetik. Duhet t’i pasqyroja ngjarjet sa më besnikërisht nëpërmjet dokumentave që mbaheshin sekret. Kështu formulova një kërkesë zyrtare e cila më dha mundësinë të shqyrtoj dosjet historike: ‘Më duhet të shikoj këto doku­mente. A është e mundur?’ Por për t’i parë ato më ‘dërguan’ të takoj drejtoreshën e arkivave, e cila ishte dora vetë e shoqja e Enver Hoxhës. Më dhanë autorizim. Gjatë disa orëve munda të shqyrtoj këto dosje tronditëse. Në romanin tim e kam për­shkruar këtë histori shumë të bukur, dramatike e tërheqëse. Para se të më jepej leja, zonja Hoxha më ftoi një mbrëmje në shtë­pinë e saj për t’u fjalosur e, ndërkohë që po bisedonim, Enver Hoxha hyri kështu si rastësisht».[4]
Por Kadare nuk i ka pasqyruar asfare besnikërisht ngjarjet në roman, në të dy versionet. Pse në romanin e Kadaresë periudha 13 mujore kur ndodhën ngjarjet në realitet, ngjeshet në 5 muaj? Pse e ka bërë Kadare këtë gjë? Kjo ngjeshje kohore, të cilën Kadare e ka bërë dhe tek «Koncert në fund të dimrit», ku për­shkruan prishjen e marrëdhënieve shqiptaro-kineze, në fakt i paraqit ngjarjet ashtu sikur do të donin Enver Hoxha dhe re­gjimi komunist shqiptar që të kishin ndodhur. Pra, pas fjalimit kundër Hrushovit që mbajti Enver Hoxha në mbledhjen e Mos­kës, në nëntor 1960, brenda tre muajsh e pak ditësh më tepër ndodh largimi i forcave ushtarake sovjetike nga baza e Vlorës, nën presionin e Enver Hoxhës, dhe më pas erdhi prerja e marrë­dhënieve diplomatike mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë. Kjo nuk është e vërteta historike. E vërteta historike ka qenë se nuk ishte Enver Hoxha dhe Shqipëria komuniste që u prish me Hrushovin dhe Bashkimin Sovjetik, por ishte Hrushovi dhe Bashkimi Sovjetik që u prish me Enver Hoxhën dhe Shqipërinë komuniste, se e përdori si kartë në shkëmbimet gjeopolitike me SHBA-të. Ismail Kadare nuk mund ta bënte ndryshimin e kro­no­logjisë të këtyre ngjarjeve historike me rëndësi të madhe për mitologjinë historike të regjimit të Enver Hoxhës, pa lejën e Enver Hoxhës. Sikur thotë vetë Kadare, në citimin e mësipërm, Enver Hoxha hyri si rastësisht kur ai po bisedonte me Nexhmije Hoxhën, dhe në këtë bisedë Kadare duhet t’i ketë paraqitur idenë e vet për ndryshimin e kronologjisë, që diktatorit i ka pëlqyer se shkrimtari i vet i oborrit po i propozonte rishkrimin e historisë, ashtu siç do t’i pëlqente diktatorit të kishte ndodhur. Kështu Kadare në fakt në romanin e vet do të bënte atë gjë që bënte Ministria e së Vërtetës, në romanin e George Orwell, «1984», pra rishkrimin e historisë së afërt, pas ndryshimit të linjës poli­tike të regjimit.
Në romanin e Kadare, prishja e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, paraqitet si e ardhur për shkak se Hrushovi rrëzoi kul­tin e Stalinit, dhe për shkak se Enver Hoxha i konsideronte udhë­heqësit sovjetikë sikur ishin të nënshtruar ndaj Perëndimit. Ja si thotë Enver Hoxha në bisedë me Hrushovin në Moskë, të cilën Kadare e citon tek «Dimri i madh»:
«Jo, - tha Enver Hoxha, - ne nuk goditëm njeri. Përkundrazi, ne u mallkuam si heretikë, sepse nuk iu bindëm urdhrit tuaj për të goditur një parti motër. Dhe kjo ishte vetëm njëra prej kontradiktave që kemi me ju. Ju e dini se ne prej kohësh nuk jemi dakord me ju për një sërë çështjesh. Neve nuk na pëlqen paternalizmi juaj, ne nuk kemi qenë dakord që ju ndër­hytë në Hungari pa u kon­sultuar edhe me ne, neve nuk na pël­qen trajtimi që i bëtë çësh­tjes së Stalinit. Veç kësaj ne nuk jemi në një mendje me ju në lidhje me qëndrimin ndaj Jugosllavisë, nuk na pëlqen përulja juaj, - ai deshi të shtonte ‘prej provin­ciali’, por aty për aty ndë­rroi mendje, - përulja juaj ndaj Perë­ndimit. Gjithashtu s’jemi dakord për disa çështje të tjera pari­more. Ne nuk jemi aq opti­mistë sa ju. Ne nuk besojmë shumë në rrugët parlamentare të triumfit të komunizmit».[5]
Shkurt, Enver Hoxha po e armiqësonte Shqipërinë jo vetëm me Lindjen, por edhe me Perëndimin, për mustaqet e Stalinit, për shkak se nuk qe dakord që Hrushovi u pajtua me Tito, i cili u afrua me Perëndimin, për shkak se Hrushovi nuk e pyeti për ndërhyrjen ushtarake në Hungari në 1956 (Enver Hoxhës për këtë gjë megjithatë nuk duhet t’i ketë ardhur keq, pasi ai e pati këshilluar, që para se ta bënte Hrushovi, ndërhyrjen në Hungari, e cila donte të afrohej me Perëndimin), si dhe për shkak se lide­rët sovjetikë nuk tregoheshin sa duhej të ashpër me Perëndimin. Për këto po izolohej Shqipëria. Tekefundit për antioksidenta­li­zëm. Ndërsa «partia-motër», që mbron Enver Hoxha nga sulmet e Hrushovit, është Partia Komuniste Kineze. Enver Hoxha i thotë Hrushovit: «nuk na pëlqen përulja juaj... përulja juaj ndaj Perëndimit».
Enver Hoxha, duke iu përgjigjur Hrushovit, pak ditë më vonë, në fjalimin e mbajtur në Tiranë në 7 nëntor 1961, në sole­m­ni­tetin me rastin e 20-vjetorit të krijimit të PPSH-së dhe 44-vje­torit të Revolucionit të Tetorit, tha fjalët famëkeqe: «Populli shqiptar dhe Partia e tij e Punës do të rrojnë edhe me bar po të jetë nevo­ja, por kurrë nuk do të shiten ‘për 30 aspra’, se ata pre­ferojnë më mirë të vdesin në këmbë e me nder sesa të rrojnë me turp e të gjunjëzuar».[6]
Pra, Enver Hoxha e bëri të qartë se nuk do të kishte orientim të Shqipërisë nga Perëndimi pas prishjes me Bashkimin Sovje­tik, sikur pati ndodhur me Jugosllavinë pas vitit 1948, kur Tito u prish me Stalinin. Dhe kjo qe e kuptueshme, pasi Enver Hoxha u prish me Hrushovin se ky hodhi poshtë kultin e Sta­linit. Shqipëria do të qe këtej e tutje njëlloj armike e kampit socialist me në krye Bashkimin Sovjetik dhe e Perëndimit kapi­talist me në krye SHBA-të, një vend stalinist i izoluar midis dy blloqeve, duke pasur vetëm miqësinë me vlerë të dyshimtë të Kinës maoiste. Enver Hoxha e paraqiti këtë kurs të ri të Shqi­pë­risë si të ardhur nga tradita historike e Shqipërisë, sikur Shqi­përia në shekuj pati provuar keqdashjen dhe armiqësinë e të dyve, Lindjes dhe Perëndimit dhe sikur Shqipëria historikisht pati qenë e shtrënguar të luftonte dhe t’u rezistonte njëlloj të dy palëve, duke mbijetuar e vetme dhe duke formësuar kështu një identitet të veçantë, përtej kulturës së dy arealeve globale.
Ismail Kadare, tek «Dimri i vetmisë së madhe» dhe «Dimri i madh» e paraqet si tejhistorike paradigmën enveriane izolacio­niste, stalinofile dhe antiperëndimore. Tek romani «Dimri i madh» Kadare shkruan për periudhën e prishjes sovjeto-shqip­tare në vitin 1961:
«Ndihej menjëherë se si, duke u pregatitur për t’u murruar në themelitë e kombit, ngjarja kapërcente sferën e marrëdhë­nieve midis shteteve dhe partive. Ajo dilte nga gjysma e dytë e shekullit XX, ku kishte ndodhur, për t’u shtrirë në kohën e përgjithshme».[7]
Ndërsa më poshtë, Kadare e bën personazhin e romanit, shkri­m­tarin Skënder Bermema, me të cilën paraqet vetveten, të thotë:
«Mblidhuni të gjithë këtu; ju ustallarë që ndërtoni Kësh­tjellën e Rozafatit, lerini pak çekiçët mënjanë; ti Kostandin, që je ngritur nga varri për të mbajtur fjalën e dhënë, mbaje pak kalin; ju krushq e kësolltarë kudo qofshi, lereni këngën a vajin, ju kandi­datë partie, që po bëni stazhin e provës, ndërpriteni pak punën; afrohuni të gjithë këtu të dëgjoni ç’i ka ndodhur Shqi­përisë...»[8]

Dhe çfarë i kishte ndodhur Shqipërisë? Ajo po sakrifikohej për mustaqet e Stalinit!
Një nga autoritetet kryesore të kritikës letrare të kohës së komunizmit, dr. Jorgo Bulo, në vitin 1981, kur Kadare preten­don se nuk shihej me sy të mirë nga regjimi për shkak të botimit të novelës «Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave» (e ribotuar po atë vit e zgjeruar tek përmbledhja «Emblema e dikurshme»), shkruan në parathënien e kolanës së veprave të Kadaresë, të botuara po atë vit:
«Tek ideja e qëndresës, te kryemotivi i mbarë krijim­tarisë së tij, I. Kadareja nuk erdhi rastësisht. Artist me një ndje­një të zhvi­lluar qytetare e me një prirje të veçantë për të rrokur thelbin e përvojës historike dhe aktuale të luftës së popullit tonë për liri, progres shoqëror e socializëm. I. Kadarenë e interesoi në mënyrë të veçantë në fazën e pjekurisë së talentit të tij pro­blemi i fateve historike të kombit tonë, i fateve të socializmit në Shqipëri. Në rrethanat që u krijuan pas tradhtisë së hapur revizioniste, kur Shqipëria u gjend në udhëkryqin e historisë së saj dhe u vu për­para alternativave kategorike: ose të nënshtro­hej, ose të ndiqte me vendosmëri udhën e zhvillimit të pavarur e të revolucionit socialist, çasti kërkonte prej shoqërisë shqiptare të mobilizonte të gjitha energjitë e veta materiale e shpirtërore për t’i bërë ballë bllokadës, presioneve dhe synimeve të forcave të reaksionit imperialist e socialimperialist. Në këto kushte u aktivizua si asnjëherë mendimi shoqëror dhe ndërgjegjja este­tike e kombit, u gjallëruan kërkimet artistike për të pohuar për­mes artit buri­met e thella morale që frymëzonin qëndresën heroike të Shqipë­risë dhe mbushnin me besim e optimizëm për fitoren. Një nga këto burime ishin traditat heroike të së kalua­rës, të cilave në kushtet e reja u shtohej një element i ri esencial: populli ynë kishte fituar një përvojë të re historike, kolosale, atë të revolu­cionit e të ndërtimit socialist, ai kishte përvetësuar mendimin më të ri e më të përparuar të kohëve, mendimin e Marksit dhe të Leninit, fatet e Shqipërisë i kishte marrë prej kohësh në dorë Partia
Duke i jetuar aktivisht ngjarjet dhe duke përjetuar thellë si artist çastet historike që kalonte vendi, I. Kadareja në krijim­tarinë e tij po arrinte gradualisht në një zbulim artistik me rën­dësi për krijimtarinë e tij dhe për mbarë letërsinë tonë: nga një ide që shkreptinte aty-këtu në vargje e pasazhe të veçanta, ai e vuri në qendër të krijimtarisë së vet idenë e qëndresës, pro­ble­min e fateve të kombit dhe të burimeve shpirtërore të forcës e vitalitetit të tij».[9]
Në fakt, ideja e qendresës, fillon e shfaqet në librat e Kada­resë që pas vitit 1961, kur ndodhi prishja e regjimit komunist shqiptar me Bashkimin Sovjetik, që deri atëhëhere pati qenë mbrojtësi i madh i Shqipërisë komuniste nga rreziku «Perë­ndimi kapitalist», si dhe sponsori ekonomik i vendit. Pas prish­jes me sovjetikët, derisa blloku perëndimor «imperialist» vazh­donte të mbetej armik, qe bërë armik edhe blloku lindor «revi­zio­nist» me në krye Bashkimin Sovjetik. Derisa aspekti ekonomik i prishjes u zgjidh pak a shumë me ndihmat e Kinës, për Shqipë­rinë komu­niste delte problemi i sigurisë së jashtme. Deri në atë moment shqiptarëve u qe thënë se imperializmi perëndimor me atë ame­rikan në krye, është si një ujk i cili do që ta shqyejë Shqi­përinë e vogël, por atë e mbron Bashkimi i madh Sovjetik dhe Ushtria e lavdishme e Kuqe, e cila pikërisht për këtë gjë gjendej e prani­shme edhe në Shqipëri. Por, pas prishjes me Bashkimin Sovje­tik, si do t’u thuhej shqiptarëve, kush i mbronte ata nga «rre­ziku imperialist»? Aleatja e re, Kina qe shumë larg dhe vështirë ta besonte kush se ajo do të qe në gjendje që t’i ndih­­monte në rast rreziku. Atëhere Enver Hoxha dhe regjimi komu­nist shqiptar përpunuan dhe potencuan paradigmën e re, sikur Shqipëria gjatë gjithë historisë së vet, pati pasur si armiq si Lindjen, ashtu dhe Perëndimin dhe se shqiptarët gjatë gjithë historisë së vet qenë shquar për qëndresën që u patën bërë presioneve dhe mësymjeve të ardhura si nga Lindja ashtu dhe nga Perëndimi, se Shqipëria gjatë gjithë historisë së vet, pati tentuar të mbijetonte e veçuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe, së këndejmi e izoluar. Gjendja e tashme, pra e peri­udhës kur regjimi komunist shqiptar u prish me Bashki­min Sov­jetik, u paraqit si një situatë e natyrshme, vazh­dim i kësaj tradite historike të moçme, pra nuk kishte asgjë për t’u frikë­suar, pasi shqiptarët tashmë e kishin kultivuar doken e qëndresës dhe do të mbijetonin edhe këtë herë, duke përballuar rreziqe që vinin nga Lindja dhe Perëndimi. Pra regjimi zgjodhi izolacionizmin, duke e paraqitur këtë si traditë nacionale tejhis­torike.
Duke i konsideruar historiografinë dhe letërsinë si aspekte të propagandës, regjimi komunist shqiptar kërkoi prej tyre që, e para (historiografia) të ndërmerrte projektin orwellian të rishkri­mit të historisë shqiptare sipas paradigmës së mësipërme, kon­ve­nuese për politikën e regjimit për kohën. Derisa politika e re­gjimit enverian qe se Shqipëria ndërton komunizmin në kushtet e rrethimit kapitalisto-revizionist, nën presionet dhe duke e refuzuar si Perëndimin kapitalist, ashtu dhe Lindjen revizio­niste, atëhere edhe historia shqiptare duhej rishkruar që gjërat të paraqiteshin sikur populli shqiptar gjatë gjithë historisë së vet pati pasur si armiq si vendet e Lindjes, ashtu dhe ato të Perë­ndimit, se populli shqiptar pati jetuar i veçuar nga Lindja dhe Perëndimi, refraktar ndaj influencave të tyre, pra me një prirje izolacioniste. Regjimet totalitare e dinë se nëse ia arrijnë që në sytë e popullit dhe të opinionit ndërkombëtar krijimi i këtyre regjimeve dhe kursi ku e kanë futur ato shoqërinë, duket si një vazhdim i natyrshëm i kursit të historisë të vendit përkatës, atë­here këto regjime kanë krijuar sigurinë më të madhe për veten, pasi sigurojnë konsensusin e brendshëm dhe të jashtëm. Prandaj çdo regjim totalitar, në një mënyrë ose në një tjetër, ka tendencë të bëjë atë që George Orwell tek «1984», kur fanta­zon regjimin totalitar të së ardhmes, e paraqet të hiperbolizuar me atë që e quan «Ministria e së vërtetës». Kjo ministri ka dety­rën që të rishkruajë historinë, duke u nisur nga parimi «Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen». Prandaj, një armatë shkrue­sish ndryshojnë dokumentet, librat, rishkruajnë gazetat e vjetra, që të bëjnë të mundur që historia të konfor­mohet me politikën e partisë në pushtet. Edhe regjimi komunist shqiptar bëri diçka të ngjashme. Tek «1984» shkrimtarët janë të detyruar që të shkruajnë në këtë linjë.
Sipas po së njëjtës logjikë, në Shqipërinë komuniste, shkrim­tarët morën si detyrë që ta letrarizojnë këtë paradigmë, duke bërë parabola nga e shkuara në të ardhmen,  në poezi, romane, novela etj. Në këtë drejtim më i zellshmi dhe më i shquari u tregua Ismail Kadare. Ismail Kadare arriti që të ndërtojë një korpus të tërë letraro-historik ku paraqitet kjo paradigmë, duke u bërë kështu praktikisht «Ministria e së vërtetës» orwelliane e regjimit komunist shqiptar, të cilën ky i fundit e ekspozoi dhe në botë, duke dashur që ta përdorë si instancë legjitimimi për vetveten.
Shembulli më i dukshëm i përdorimit të kësaj parabole Ismail Kadare e paraqet tek romani «Kështjella» (1970). Në një inter­vistë për gazetën «Zëri i Rinisë», në 1 dhjetor 1973, Ismail Kadare u shpreh: «...në romanin ‘Kështjella’ shfrytëzova analo­gjinë historike midis epokës së Skënderbeut dhe epokës së sotme».[10]Analogjia pra, është ajo midis kështjellës mesjetare shqiptare, që i reziston rrethimit turk dhe Shqipërisë komuniste, të cilën diktatori Enver Hoxha e pati përcaktuar një kështjellë e pampo­shtur e marksizëm-leninizmit në brigjet e Adriatikut, që përba­llon rrethimin dhe bllokadën imperialisto-revizioniste. Në mënyrë krejt të drejtpërdrejtë këtë analogji Kadare e pati shpre­hur tek poema «Vitet gjashtëdhjetë», e botuar në 1969, pra një vit para se të botohej romani «Kështjella». Në poemën «Vitet gjashtë­dhjetë» Ismail Kadare e bën Enver Hoxhën që ta përfytyrojë Shqipërinë komuniste si një «kështjellë», të rrethuar:

«Një avion fluturonte në qiellin dimëror sipër maleve,
Drejt verilindjes. Drejt verilindjes.
Re
    Re
        Re
 Shoku Enver Hoxha mbështetur te dritarja
Vështronte peizazhin e gjerë mbi dhe.

Ai nuk i hiqte sytë nga xhamat.
Re të zeza kudo: elektricitet, reshje.
Horizonte të zymta.
Heshta vetëtimash.
Thyer aty-këtu si pas një përleshje.

Po shkonte drejt luftës.
Retë që nxinin
Në horizonte sajonin kështjella,
                                              Llogore.
Avioni fluturonte nëpër barkun e qiellit.
Mes shkretëtirës dimërore» [11]

Ndërsa më tutje, në po të njëjtën poemë, Kadare vazhdon që ta zhvillojë këtë figuracion, duke thënë:

«Këto vite të ashpra si gurë monumentesh,
Kjo kohë, bijë tufanesh e nënë tufanesh,
Kish brenda të ngjeshura gjithë alarmet, epikën,
Nga muret e Krujës
                        Te zjarret partizane.
Ne bijtë dhe njëkohësisht etërit e saj
Me të bashkë
                  (bashkëkohës - ç’fjalë krenare!)
Në mijëra e mijëra radhë të panjohurish,
Qysh tani kemi hyrë në lavdinë proletare.» [12]

Dhe gjithçka bëhet në funksion të idesë se Shqipëria komu­niste i reziston rrethimit dhe presionit, si nga Lindja ashtu dhe nga Perëndimi, ose siç e quan Kadare në terminologjinë e pro­pa­­gandës së regjimit, pjesë e së cilës Kadare qe «imperialisto-revizionist»:

«Heshta vetëtimash na thyheshin mbi supe,
shkulmë e stuhisë në gjoks na godiste.
Larg,
       Ylbere miqsh.
Ne çanim më tutje
Midis Shillës imperialiste
Haribdës revizioniste.
Bota nën flokë radiostacionesh
Netët e turbullta i gdhinte me zor.
Ne qëndruam në mbrojtje të revolucioneve
Të pamposhtur, heroikë madhështorë» [13]

Romani «Kështjella» fillon me rrëfimin e kështjellarit, të cilin autori e përdor për të përcjellë ide që e ndërtojnë të plotë analo­gjinë midis dy kohëve:
«Në të dalë të dimrit, kur delegatët e sulltanit u larguan, ne e kuptuam që lufta ishte e pashmangshme. Ata na bënë gjithfarë presionesh që ne të pranonim vasalitetin. Në fillim përdorën lajkat dhe premtimet, pastaj na akuzuan si renegatë dhe mos­mirënjohës që u jemi shitur frëngjve, domethënë Evropës. Më në fund na kërcënuan hapur se do të na mposhtnin me anë të luftës. Ju u besoni shumë mureve të kështjellave tuaja na thanë ata, por edhe në qoftë se ato mure janë vërtet të papushtue­shme, atëherë ne do t’i rrethojmë ato me unazën e hekurt të bllokadës. Ne do të bëjmë që ju të dorëzoheni nga uria».[14]
Këtu është e qartë analogjia me prishjen shqiptaro-sovjetike në vitet 1960-1961. Në Kongresin XXII të PKBS, në tetor 1961, Hrushovi, duke e bërë publike prishjen me PPSH-në dhe Enver Hoxhën, u shpreh duke përdorur një figuracion biblik, se «udhë­heqja e PPSH u shit tek imperializmi për 30 aspra».
Enver Hoxha (siç e kam përmendur edhe në faqen 64), duke iu përgjigjur Hrushovit, pak ditë më vonë, në fjalimin e mbajtur në Tiranë në 7 nëntor 1961, në solemni­tetin me rastin e 20-vje­torit të krijimit të PPSH dhe 44-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, tha fjalët famëkeqe:
«Populli shqiptar dhe Partia e tij e Punës do të rrojnë edhe me bar po të jetë nevoja, por kurrë nuk do të shiten ‘për 30 aspra’, se ata prefe­rojnë më mirë të vdesin në këmbë e me nder sesa të rrojnë me turp e të gjunjëzuar».[15]
Pra, Enver Hoxha e bëri të qartë se nuk do të kishte orientim të Shqipërisë nga Perëndimi pas prishjes me Bashkimin Sovje­tik, sikur pati ndodhur me Jugosllavinë pas vitit 1948, kur Tito u prish me Stalinin. Dhe kjo qe e kuptueshme, pasi Enver Hoxha u prish me Hrushovin se ky hodhi poshtë kultin e Stali­nit. Shqipëria do të qe këtej e tutje njëlloj armike e kampit socia­list me në krye Bashkimin Sovjetik dhe e Perëndimit kapitalist me në krye SHBA-të, një vend stalinist i izoluar midis dy blloqeve, duke pasur vetëm miqësinë me vlerë të dyshimtë të Kinës mao­iste. Enver Hoxha e paraqiti këtë kurs të ri të Shqipërisë si të ardhur nga tradita historike e Shqipërisë, sikur Shqipëria në she­kuj pati provuar keqdashjen dhe armiqësinë e të dyve, Lindjes dhe Perë­ndimit dhe sikur, Shqipëria historikisht pati qenë e shtrënguar të luftonte dhe t’u rezistonte njëlloj të dy palëve, duke mbijetuar e vetme dhe duke formësuar kështu një identitet të veçantë, përtej kulturës së dy arealeve globale.
Akuza që në romanin e Kadaresë u bëjnë turqit shqiptarëve se janë të shitur tek frengjtë (Europa) është homologe e akuzës së mësipërme që Hrushovi i bëri udhëheqjes së PPSH-së dhe Enver Hoxhës. Por, në rastin e turqve dhe arbërve (shqiptarëve), që përshkruhet në romanin e Kadaresë, akuza qe një nonsens dhe turqit as që mund ta bënin, pasi Arbëria e kohës së para push­timit turk qe pjesë e Europës, duke qenë një vend katolik. Fjalën «frengj», që turqit e përdornin për të quajtur të gjithë europianët katolikë (perëndimorë), turqit e patën huazuar nga ara­bët, të cilët e quanin Europën Perëndimore si Frengjistan, dome­thënë vendi i frengjve, për shkak se Europën katolike perë­ndi­more e identifikonin me Perandorinë Franke të Karlit të Madh dhe me emrin «frankë» quanin të gjithë europianët, pava­rësisht se qenë ose jo pjesë e kësaj perandorie. Prej «frank» erdhi fjala «freng» dhe prej këtij të fundit, sipas rregullave të gjuhës arabe dhe më vonë turke, fjala «Frengjistan», si emër i vendit të fran­këve. Në rastin e dhënë, qenë europianët (frengjtë) ata që do të kishin të drejtë që t’i quanin arbërit renegatë dhe mosmirë­njohës, në rast se bëheshin vasalë të turqve dhe jo e kundërta. Në roma­nin e Kadaresë Europa dhe Perandoria Osmane janë njëlloj armiq të shqiptarëve dhe bashkëpunojnë kundër tyre, një analogji kjo me pretendimin e Enver Hoxhës për aleancën sov­jeto-ameri­kane, që vepron dhe kundër Shqipërisë. Në roman, një funksio­nar i lartë turk i thotë kronikanit të ushtrisë rre­thuese:
- Ti ke të drejtë të çuditesh, - tha kryeveqilharxhi. - ti thua me vete se ne, nga një anë e akuzojmë Skënderbeun se është shitur te frëngu, dhe, nga ana tjetër bëjmë marrëveshje me frën­gun në kurriz të tij. Edhe unë po të isha në vendin tënd kështu do të çuditesha. - Kryeveqilharxhi bëri një nga ato buzë­qeshjet e tij të zakonshme, ku nuk merrnin pjesë sytë, - Ç’t’i bësh, Mevla Çelebi, kështu e ka politika.[16]

Duke dashur që të theksojë analogjinë, Kadare në roman përdor terma krejt të pavend, si termi «bllokadë», që nuk përdo­rej për rrethimin e kështjellave në Mesjetë.
Romani «Kështjella» u shkrua në fillim të fushatës së forti­fikimit (bunkerizimit) të Shqipërisë dhe paraqitja nga Kadare e shqipërisë komuniste si një fortesë (kështjellë) qe një simbol i pëlqyeshëm për regjimin, që atëhere pati nisur fushatën për ta mbushur Shqipërinë me 600 mijë fortesa (bunkere), duke e shndë­rruar vendin realisht në një superfortesë (superbunker) të drejtuar si kundër Lindjes, ashtu dhe kundër Perëndimit. Synimi ishte edhe që bunkerizimi izolacionist i vendit të paraqitej si vazhdim i një tradite historike të moçme.
Në vitin 1971, menjëherë pas botimit të romanit «Kështje­lla», kritiku letrar Vasil Melo (më pas kryetar i PBDNJ-së), do të botonte një recension me titull «Romani “Kështjella” i Ismail Kadaresë», ku ve në dukje rëndësinë ideologjike të veprës, për shkak të analogjisë historike midis kështjellës mesjetare që i reziston rrethimit dhe Shqipërisë së kohës së komunizmit, të cilën propaganda zyrtare e quante «kështjellë të pamposhtur të marksizëm-leninizmit në breg të Adriatikut». Melo shkruan:

«Ana­logjia historike e veprës, afrimi i saj me kohën tonë, reflek­timi në periudhën e sotme historike, arrihet nëpërmjet forcës përgjithësuese të të gjithë përmbajtjes së veprës. Objekti, që në vepër më shumë se çdo gjë tjetër ka këtë përgjithësim të fuqishëm artistik, është kështjella».[17]

Në vazhdim Melo shprehet:
«Kështu, kështjella kthehet në mendimin e lexonjësit në një simbol. Nuk mund të themi se është një simbol i thjeshtë konven­cional, një figurë stilistike, që autori ka dashur të vendosë në vepër, por një figurë artistike që del nga gjithë shtjellimi i ngjar­jeve, nga idetë që janë vendosur aty, nga përgjithësimi artistik dhe historik që merr ajo. Me kështje­llën nis edhe analogjia histo­rike e veprës. Vendin tonë, Shqipë­rinë, e kemi quajtur shpesh kësh­tjellë të socia­lizmit në brigjet e Adriatikut, si kështjellë e kemi parë në shumë pllakate politike të kohës, si një kështjellë e përfytyrojmë - të fortë, të pathyeshme, të pamposhtur. Dhe vetvetiu kapërcehen hapë­sirat, afrohen epokat, gjenden pikat e përbash­këta, dhe ajo kësh­tjellë e roma­nit merr një kuptim edhe më të gjerë, ajo na duket se është edhe Shqipëria e sotme dhe ata kështjellarë shqiptarët me përpjekjet dhe luftën e tyre për të mbrojtur vendin, lirinë dhe fito­ret e revo­lucionit.
Prej këtej analogjia shpërndahet e futet në të gjithë subjektin e veprës, në linjat e tij kryesore. Gjithë ato ngjarje, idetë, men­di­met, marrin edhe një kuptim të dyfishtë në analogjinë histo­rike, që ka vepra. Përcaktimi i fytyrës së perandorisë osmane në roman nuk mbetet vetëm brenda kornizës së historisë, por ai vlen edhe për të karakterizuar armiqtë e sotëm të vendit tonë dhe të njerë­zimit. Nuk janë më pak agresivë, por më shumë, nuk janë më pak barbarë e çnjerëzorë, por më shumë, imperialistët amerikanë dhe revizionistët sovjetikë, se osmanët e mesjetës. Ne i kemi provuar në kurrizin tonë, por Vietnami, Kamboxhia, Çekosllovakia, Lindja e Mesme e tregojnë edhe më qartë dhe e përgjithësojnë këtë të vërtetë... Mendimi, që shprehet në roman për besimin që kanë turqit në forcën dhe në armët e tyre gjen jehonë të gjerë sot, në atë besim që kanë ‘superfuqitë’ te bom­bat dhe armët e tyre, në atë frikën që duan t’u kallin popujve, që të rrinë urtë, të nënshtro­hen, se çdo kundërshtim është i kotë».[18]

Sigurisht që grekut Vasil Melo i interesonte izolimi i Shqi­përisë, pasi kështu ajo do të mbetej pas dhe kur të ndodhte hapja, Greqia do të mund ta nënshtronte lehtësisht, sikur edhe ndodhi në të vërtetë, pas vitit 1990, kur Vasil Melo do të kontri­buonte që Shqipëria të bëhej një koloni greke. Kjo është arsyeja që greku Vasil Melo, në vitin 1971, e himnizon izolimin e Shqi­përisë, që në këtë roman të Kadaresë paraqitet si një paradigmë gjithëhistorike e shqiptarëve.
Të njëjtën paradigmë të artikuluar tek «Kështjella», Ismail Kadare e rimerr dhe tek «Dimri i madh», kur e përshkruan Enver Hoxhën duke medituar në kohën që po shkruan fjalimin e parë publik që do të mbante në Shqipëri, në një mbledhje që do të mbahej pas kthimit nga Moska, ku pati marrë pjesë në Mbledh­jen e 81 partive komuniste:
«Ai filloi të shfletonte fletët e daktilografuara të fjalimit që do të mbante pasdite. Popull shqiptar, ish-miqtë tanë na kthyen shpinën. Ne kemi mbetur vetëm. Vetëm si më 1460, si më 1860. Ai vazhdonte të shfletonte. Fraza të tilla nuk kishte gjëkund në atë fjalim. Dhe as që mund të kishte. Tani për tani s’mund të kishte asgjë të tillë. Tani për tani ato vërtiteshin brenda qenies së tij, ditë e natë, ditë e natë, me një dëshirë të papërmbajtshme për të arritur te buzët. Ai e dinte se pasdite, duke dëgjuar fjali­min e tij, qindra mijëra njerëz do të pyesnin me vete: do të ketë vallë bllokadë? Kurse ata që dinin diçka më tepër, do të përpi­qeshin të kuptonin nga intonacioni i frazave nëse bllokada do të ishte e plotë apo jo.
Po, tha ai me vete, bllokadë do të ketë. Bllokada do të jetë e plotë, e pamëshirshme, mesjetare. (Atje në përmbytje ishte zbu­luar edhe varri i një kali. Ai kalë paskësh prerë ujin e një kësh­tjelle mesjetare gjatë rrethimit). Për bllokadën nuk kishte më asnjë dyshim. Qysh prej dy javësh shteti ndodhej në bllokadë. Në mendjen e tij vërtitej tani tjetër gjë. Ishte një përfytyrim i copëtuar i një marshimi: copëra dielli mbi heshtat, mbi flamurët, mbi stemat e shteteve socialiste, mbi emblemat e Traktatit të Var­shavës. Ato lëviznin me një ndriçim ndjellazi, përpara, në kryqë­zatë për të çliruar, po ç’varr? Varri i Marksit ndodhej në veri, në Londër. Jo, ato lëviznin në drejtim të kundërt, drejt qendrës së Evropës, drejt juglindjes. Atje ishte varri... i një kali».[19]
Në fakt bllokadë nuk pati. Ajo ishte thjesht shpikje e Enver Hoxhës. Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste thjesht nuk donin që të kishin marrëdhënie ekonomike me Shqipërinë, dhe ia ndërprenë ndihmat asaj. Por kjo nuk mund të quhet bllo­kadë. Enver Hoxha e konsideronte këtë si bllokadë, se ai nuk donte që të ndiqte shembullin e Titos dhe ta hapte Shqipërinë ndaj Perëndimit kapitalist. Pas mbledhjes të mësipërme, Kadare na jep dialogun midis dy pjesëmarrësve, që janë historianë, të cilët kanë arritur që të kuptojnë nga interteksti i fjalëve të Enver Hoxhës, pikërisht atë që diktatori ka medituar pak më parë:

- Në kohën e Skënderbeut, Shqipëria për tridhjetë e pesë vjet rresht u rebelua me sukses kundër superfuqisë turke, megji­thëse kjo perandori ishte atëhere në kulmin e fuqisë së saj, - vazhdoi të fliste i pari...
- Dhe tani, me sa duket, Shqipëria porsa ka nisur më madhë­shtoren e të gjitha sfidave.
Tjetri nuk ia hiqte sytë.
- Pak më parë në mbledhjen solemne, ndërsa Enver Hoxha fliste, unë mendoja vazhdimisht këtë gjë.
- Ai e thoshte këtë gjë, - tha tjetri, - në mos me fjalë, me gjith­çka tjetër.[20]

Këtu Ismail Kadare vendos një raport telepatik midis Enver Hoxhës dhe këtyre dy pjesëmarrësve në mbledhje, në mënyrë që të ilustrojë me një parabolë mendimin e mësipërm të Enver Hoxhës.


Mashtrimi i madh në romanin e Kadare, për konfliktin
shqiptaro-sovjetik për bazën ushtarako-detare të Vlorës

Romani i Ismail Kadaresë, si në versionin «Dimri i vetmisë së madhe», ashtu dhe në atë «Dimri i madh» ka si bosht të sus­pansit konfliktin shqiptaro-sovjetik për bazën ushtarake të Vlo­rës. Derisa në Vlorë gjendeshin forca ushtarake sovjetike, atë­herë konflikti ideologjik mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik duhej pritur të precipitonte në Vlorë, të cilën sovjetikët mund ta përdornin si kryeurë për të ndërhyrë ushtarakisht në Shqipëri, sië bënë në Hungari në 1956 dhe në Çekosllovaki më pas, duke përfituar nga fakti se Shqipëria ishte vend anëtar i Traktatit të Varshavës. Në romanin e Kadaresë, tjetërsohet krejtësisht e vër­teta historike, sipas konvenimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, gjë që bëhet madje edhe duke kundërshtuar dhe doku­men­tet e botuara nga vetë Enver Hoxha. Romani i Ismail Kada­resë është një aspekt i propagandës së regjimit komunist shqip­tar për të dhënë versionin e pëlqyeshëm për regjimin komunist, për këtë ngjarje, pra se ishte Enver Hoxha ai që i dëboi sovje­tikët nga Vlora dhe nga gjithë Shqipëria. Por, Ismail Kadare, në shkrimet dhe intervistat e veta të destinuara për opinionin perë­ndimor, vazhdon të mbrojë këtë teori, duke thënë p.sh., në një intervistë që i ka dhënë studiuesit francez Alen Bosquet, në 1996, se Perëndimi u tregua mosmirënjohës me Enver Hoxhën, pasiqë ky i fundit: «E hoqi bazën ushtarake sovjetike nga Vlora, të vetmen bazë në Mesdhe, kërcënim të tmerrshëm për Perëndi­min dhe asnjë falënderim».[21]
Është e sigurt, se nëse Enver Hoxhës i njihet merita e largi­mit të sovjetikëve nga baza ushtarako-detare e Vlorës, atëhere, pavarësisht të këqijave që ka bërë, bilanci i të mirave dhe të këqijave të tij del gjithsesi me një kredit të mirash, si për perën­dimorët, ashtu dhe për shqiptarët. Ismail Kadare e di se nëse e mbron Enver Hoxhën në këtë pikë, atëhere, pavarësisht nga kritikat që i ka bërë, i ka bërë shërbimin më të madh bashkë­qytetarit të vet gjirokastrit, në pikëpamjen historike afatgjatë. Këtë Kadare e bën edhe për të mbrojtur librin e vet «Dimri i vetmisë së madhe» («Dimri i madh»). Por, si është e vërteta?


Si u ndërtua baza e Traktatit të Varshavës në Vlorë

Për të kuptuar misterin e largimit të flotës ruse nga Vlora, duhet këqyrur kjo histori që nga krijimi i bazës ushtarako-detare të Vlorës. Me shndërrimin e bazës ushtarako-detare të Vlorës në bazë të Traktatit të Varshavës, çka do të thoshte praktikisht në bazë sovjetike, u përmbush në një farë mënyre ëndrra e vjetër e strategëve rusë të të gjitha kohërave për të siguruar një bazë për flotën ruse në ujrat e ngrohta. Por, pengimi i realizimit të kësaj aspirate gjeostrategjike ruse pati qenë imperativi gjeostrategjik i Britanisë së Madhe prej shumë brezash dhe ky imperativ u adop­tua nga gjeostrategjia amerikane pas Luftës së Dytë Botë­rore. Në Jaltë, Britania e Madhe insistoi që Bashkimi Sovjetik të qëndronte larg Mesdheut dhe Stalini e pranoi këtë kusht. Me fillimin e Luftës së Ftohtë, Stalini u përpoq të bëjë disa diver­sione në Mesdhe, duke nxitur dhe sponsoruar gueriljen komu­niste në Greqi si dhe duke i bërë presion Turqisë që kjo t’i jepte Bashkimit Sovjetik disa territore si dhe baza ushtarake në Dar­danelet e ëndërruara prej carëve, që për Rusinë qenë porta e Mesdheut. Por, kur Stalini u ndesh në Greqi dhe Turqi me rea­gi­min amerikan të konceptuar sipas Doktrinës së përmbajtjes, ai u tërhoq. Madje Stalini, sa kohë qe gjallë, as që tentoi që ta eksploatonte qenien e Shqipërisë bregdetare mesdhetare, një vend komunist, satelit sovjetik, për ta shndërruar bazën e Vlorës në një bazë ushtarako-detare sovjetike, që do t’i hiqte gjeostra­tegjisë sovjetike handicap-in e mungesës së një baze detare në Mesdhe. Madje Stalini nuk e bëri këtë gjë, as pasi Enver Hoxha ia kërkoi një gjë të tillë.
Në mbledhjen e Byrosë Politike në 24 tetor 1957, kur u mor vendimi për bazën e Vlorës, Enver Hoxha u shpreh se ofertën për t’u ndërtuar në Vlorë një bazë ushtarake e përbashkët me sovjetikët dhe vendet e tjera komuniste, ia pati bërë dikur dhe Stalinit, por ky i fundit nuk e pati pranuar.[22]Në po këtë mble­dhje, Enver Hoxha zbulon se Molotovi pati qenë kundër edhe për futjen e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, në 1955, pasi në rast se do të sulmohej Shqipëria, Bashkimit Sovjetik do t’i duhej që të luftonte për të.[23]
Është e sigurt se refuzimi i Stalinit erdhi për shkak të obli­gimeve të marra në Jaltë në 1945, për të cilat ai ende nuk e ndjente veten aq të fortë sa t’i dhunonte në një mënyrë kaq alarmuese për Perëndimin, duke e shndërruar Vlorën në një bazë ushtarako-detare sovjetike në Mesdhe. Ndërsa kundërshtimi i Molotovit për futjen e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës vinte për shkak se diplomati me eksperiencë e kuptonte se me futjen e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, në mënyrë të natyrshme do të shkohej deri tek dislokimi i forcave sovjetike në Shqipëri, çka do të shkaktonte reagimin e ashpër perëndimor. Molotovi në 1955 e kuptonte mirë se mbrojtja e Shqipërisë qe një aventurë e kotë nga pikëpamja strategjike, pasi Shqipëria nuk kufizohej me vendet e tjera anëtare të Traktatit të Varshavës, duke qenë se nda­hej prej tyre nga dy vende të lidhura me SHBA-të, Greqinë dhe Jugosllavinë. Në rast të tensionimit të situatës, kur sigurisht që Turqia do të mbyllte Dardanelet dhe Spanja Gjibraltarin, duke nxjerrë pretekste të kota, por në realitet për të mos lejuar flotën sovjetike që të hynte në Mesdhe, Bashkimi Sovjetik nuk do të qe në gjendje që të furnizonte Shqipërinë dhe forcat e veta atje me armatime dhe sendet e tjera të nevojshme.
Por, në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, Hrushovi dhe pjesa tjetër e udhëheqjes së Kremlinit men­donin se tashmë Bashkimi Sovjetik ndihej aq i fortë sa për të avancuar në Mesdhe, ku do të eksploatonte situatën e favorshme gjeopolitike që qe krijuar pas ardhjes së Naserit në fuqi në Egjipt dhe konfliktit të hapur të këtij me SHBA-të. Stacionimi i flotës sovjetike në Mesdhe, në një bazë ushtarake të rëndë­sishme si ajo e Vlorës, sigurisht që do t’i preokuponte shumë vendet e NATO-s dhe posaçërisht vendet fqinje me Shqipërinë. Deri në atë kohë forcat e Traktatit të Varshavës nuk e kishin një bazë detare në Mesdhe. Duke marrë nën kontroll bazën e Vlo­rës, sovjetikët siguronin avantazhe të mëdha gjeopolitike. Në rast konflikti, ata mund t’i mbyllnin rrugën e vetme detare Jugo­sllavisë komuniste rebele, duke i nxitur shumë forcat pro­sovje­tike në këtë vend.
Ekzistenca e kësaj baze ushtarake sovjetike do t’i nxiste shumë forcat komuniste në Itali, e cila qe një dekadë në prag të luftës civile. Nga baza e Vlorës flota sovjetike mund të ndër­hynte në mënyrë konsistente në konfliktin arabo-izraelit. Mun­gesa e bazës së Vlorës u duk kur flota sovjetike disa vite më pas doli masivisht në Mesdhe dhe nuk pati bazë ku të ankorohej. Për të gjitha këto dhe të tjera NATO dhe posaçërisht SHBA nuk mund ta toleronin praninë sovjetike në bazën e Vlorës. Së pari, kjo për­bënte një dhunim të frymës së Marrëveshjes së Jaltës që postu­lonte qëndrimin e sovjetikëve larg Mesdheut. Në këtë kon­tekst, është e sigurt se qenë amerikanët ata që u bënë presion sovjeti­këve që të largojnë forcat ushtarake nga baza e Vlorës.
 
Kur ministri sovjetik i mbrojtjes, mareshali Zhukov vizitoi Shqipërinë, në tetor 1957, Enver Hoxha, në një mbledhje të Byrosë Politike, të mbajtur në 24 tetor 1957, u shpreh për shndë­rrimin e Pasha Limanit në një bazë të përbashkët ushta­rako-detare shqiptaro-sovjetike të pajisur me luftanije moderne. Në këtë mbledhje Enver Hoxha u shpreh se në prill të po atij viti, kur ai gjendej për vizitë në Moskë, Hrushovi i pati thënë: «Shqi­përia është një bazë me rëndësi të madhe strategjike për mbrojtjen e kampit tonë».[24]
 
Në vazhdim të fjalës së vet, Enver Hoxha e argumentoi këtë rëndësi strategjike të bazës dhe nevojën për ndërtimin e saj, me fjalët që i kishte thënë një natë më parë mareshali Zhukov, në Tiranë: «për flotën sovjetike të Detit të Zi një pengesë e madhe janë Dardanelet, Bosfori, dhe ishujt e shumtë të Greqisë». [25]
Enver Hoxha e potencoi argumentin me një dëshmi të mini­strit të atëhershëm shqiptar të mbrojtjes, Beqir Balluku: «Edhe Beqiri ka dëgjuar që Zhukovi u ka thënë oficerëve të tij: Përse i mbani nëndetëset në bregun e Detit të Zi? Ne duhet të arrijmë që ta asgjësojmë flotën e 6-të amerikane që nga bazat e Shqi­përisë».[26]
 
Është e qartë se sovjetikët qenë të interesuar për bazën, por ata donin që kërkesa të paraqitej nga pala shqiptare. Dhe Enver Hoxha u tha politbyroistëve të vet të trashë: «T’i dalim punës përpara, të marrim iniciativën dhe t’i themi Zhukovit se ne nuk kërkojmë të na japin aq e kaq (luftanije, armatim - K. M.) por që mbrojtja e vendit tonë të konsiderohet si mbrojtje e çdo pike të Bashkimit Sovjetik. Në rast se Sevastopoli është qendër e rëndësishme ushtarake për Bashkimin Sovjetik, ne mendojmë që Vlora të bëhet një kështjellë përpara Sevastopolit për të shka­tërruar tentativat dhe flotën e armikut, që në asnjë mënyrë të mos hyjë në Detin e Zi... Ne nuk na rëndohet ekonomia dhe nga ana tjetër Bashkimit Sovjetik do t’i vijë shumë mirë për një kërkesë të tillë».[27]
Pra, Enver Hoxha, për t’u treguar një lake i bindur i rusëve, që këta ta mbanin në pushtet në Tiranë ofronte se në rast lufte midis Traktatit të Varshavës dhe NATO-s Vlora dhe, pas të gjitha gjasave dhe krejt Shqipëria, të shndërroheshin në mburojë për Sevastopolin, portin kryesor ushtarak sovjetik në Detin e Zi dhe për pjesën jugperëndimore të Bashkimit Sovjetik, duke ofruar që ai të mbrohej edhe me çmimin që të digjej Vlora dhe krejt Shqipëria. Me këtë, Enver Hoxha e vinte Vlorën dhe krejt Shqipërinë, në rast të një lufte midis Traktatit të Varshavës dhe NATO-s, para rrezikut të asgjësimit total, pasi këtu forcat e NATO-s do të detyroheshin që të përqendronin goditjen e parë për të eliminuar grupimin ushtarak rus në prapavijën e tyre.
Fjalët e Enver Hoxhës për djegien e Vlorës dhe të Sevasto­polit, në rast lufte midis NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, fjalë të cilat nuk janë thënë në bisedën e Enver Hoxhës me Hrushovin në Moskë, në nëntor 1960, janë shtuar në romanin e Kadaresë për të zhdukur jehonën e fjalëve që Enver Hoxha pati thënë në mbledhjen e Byrosë Politike në Tiranë, në tetor 1957 dhe që natyrisht se dolën jashtë asaj salle, në formë thashe­the­mesh dhe u mësuan nga shqiptarët, duke i tronditur thellë ata. Kur u prish Shqipëria me Bashkimin Sovjetik, për të tjetërsuar këtë krim të Enver Hoxhës kundër Vlorës dhe krejt Shqipërisë, u tjetërsuan fjalët e tij në bisedën me Hrushovin, në librin e Kadaresë «Dimri i vetmisë së madhe» («Dimri i madh»).
Në romanin e vet «Dimri i vetmisë së madhe» (1973), Kadare e sjell kështu dialogun e mësipërm Enver Hoxha-Hrushov për bazën e Vlorës:
«Gjatë kohës që proverbi u përkthye në dy-tri variante, krejtë­sisht të pangjashme me njëri-tjetrin, dikush për­mendi grindjet në bazën e Vlorës.
- Në qoftë se baza sjell grindje, ta heqim, - tha Hrushovi.
- Si të doni, - tha Enver Hoxha. - Qënia e Pasha Limanit do të thotë që në rast lufte, të digjet më parë Vlora se Sevastopoli.
- Ç’është ky Pasha Liman? - tha Hrushovi.
- Kështu quhet ndryshe baza, - i shpjegoi me zë të ulët Miko­jani.
- Hm, - ia bëri Hrushovi. - Ç’emër i tmerrshëm. Po të doni ne mund t’i heqim nëndetëset, - tha ai. - Ato janë tonat.
- Baza është e përbashkët, - tha Enver Hoxha».[28]
Sipas procesverbalit të bisedës midis Enver Hoxhës dhe Hrushovit që u bë në Moskë, në 12 nëntor 1960 (në kohën kur mbahej Mbledhja e Moskës e 81 partive komuniste) dhe që u botua tek volumi 19 i veprave të Enver Hoxhës është bërë ky dialog midis këtij të fundit dhe Hrushovit:
«SHOKU ENVER HOXHA: Lidhur me çështjen e ushta­rakëve, ne u kemi folur shokëve tuaj. Ç’interes kemi ne që ushtarakët tanë të grinden në bazën e Vlorës! Kurse ju nxirrni dokumente se një shoku ynë paska thënë kështu e ashtu. Shiko­jini mirë ushtarakët tuaj. Unë i thashë Mikojanit se kundëradmi­rali juaj në bazën ushtarake në Vlorë nuk është kundëradmiral.
N. S. HRUSHOVI: Në qoftë se doni mund ta heqim bazën.
SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere del e vërtetë ajo që kanë thënë Malinovski dhe Greçko. Mos doni të na kërcënoni? Po të dëgjojë populli sovjetik se ju kërkoni të hiqni bazën nga Vlora, kur ajo shërben për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera socialiste të Evropës këtë nuk do t’jua falë.
N. S. HRUSHOVI: Shoku Enver, mos e ngrini zërin!
SHOKU ENVER HOXHA: Nëse do të hiqni bazën, do të bëni një gabim të madh. Ne kemi luftuar edhe pa bukë e të zbathur, por asnjëherë nuk i jemi përkulur askujt».[29]
Kështu, është e qartë se Enver Hoxha nuk e ka shprehur preo­kupimin se ekzistenca e bazës së Vlorës do të bëjë që në rast lufte Vlora të digjet para Sevastopolit. Pra, ka gjëra që janë thënë dhe Kadare nuk i ka përmendur dhe gjëra që nuk janë thënë dhe që Kadare ua ka atribuar folësve. Në versionin e bisedës të dhënë nga Kadare Enver Hoxha nuk indinjohet nga deklarata e Hrushovit për heqjen e bazës së Vlorës. Në versio­nin e bisedës të dhënë nga Kadare para së gjithash të bën për­shtypje fjalia e thënë nga Enver Hoxha «Qënia e Pasha Limanit do të thotë që në rast lufte, të digjet më parë Vlora se Seva­stopoli». Kuptohet që fjala është në rastin e luftës midis NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, respektivisht midis SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik. Sevastopoli atëhere qe baza kryesore ushta­rako-detare sovjetike në Detin e zi ku qe stacionuar flota detare sovjetike që në rast lufte duhej të bënte veprime në Mesdhe.


Pse Kadare e ndryshoi tekstin e bisedës
Enver Hoxha-Hrushov për bazën e Vlorës?

Tek libri «Katër përkthyesit» i shkruar nga Ismail Kadare dhe Denis Fernàndez Recatalà tregohet për mënyrën sesi Kadare ra në kontakt me të dhënat arkivore për mbledhjen e Moskës të vitit 1960, të cilat i përdori në romanin e vet:
«Nexhmije Hoxha e njohu shkrimtarin me rregullat që duhej të zbatonte. Ai duhej t’i linte shënimet aty dhe do t’ia kthenin përsëri pasi t’i kishin kontrolluar. Materialet s’duhej t’i shfle­tonte vetë. Kishin cak­tuar dikë tjetër me këtë detyrë. Ai do të ishte në dispozicion të tij. Dhe së fundi, kur të përfundonte roma­nin, ai duhej të dorë­zonte faqet ku flitej për mbledhjen e Mos­kës, sepse aty citohe­shin fjalë që ishin thënë nga perso­nazhe që ishin gjallë. Në këtë rast këta të fundit kërkonin të përfitonin nga një e drejtë ndër­kombëtare. Kjo dispozitë e habiti shkrim­tarin. Këta njerëz kon­tro­llonin të gjitha botimet, të gjitha dorë­shkrimet dhe krenohe­shin me fuqinë e tyre në këtë fushë. Kur rishikonin shkrimet e tyre, ata tregoheshin shumë ‘vigji­lentë’ dhe përpiqeshin që asgjë të mos i shpëtonte syrit të tyre. Megjithatë, ata silleshin sikur shkëmbenin fjalë të mira midis shokësh të mirë, sikur papritur Shqipëria adoptonte ligje ekzo­tike nga Zvi­cra, apo Franca, apo nuk e di se nga ç’demo­kraci tje­tër».[30]
Pra, Kadaresë, kur i kanë dhënë akces në arkiva dhe lejen që të shkruajë romanin i paskan vënë si kusht që kur të japë në romanin e vet pjesë nga bisedimet e zhvilluara në Moskë midis Enver Hoxhës dhe Hrushovit, t’i paraqesë me vërtetësi absolute. Në po të njëjtin libër Kadare shkruan:
«Helena ime shoqe ishte e shqetësuar. Por unë e qetësova. Dyzet faqet e dosjes, që përbë­nin dhe pjesën dokumentare të romanit, në njëfarë mënyre më mbronin».[31]
Le ta zemë se ka qenë kështu. Por, e vërteta është se Kadare i ndryshoi fjalët e shkëmbyera në Moskë midis Enver Hoxhës dhe Hrushovit, në Moskë në nëntor 1960, siç tregova më lart. Nuk do të reagonin sovjetikët në këtë rast? Por, gjërat janë edhe më keq për Kadarenë. Në fillim të romanit «Dimri i madh» Ismail Kadare ka vënë këtë shënim:
«Botimi i vëllimit të 19-të të Veprave të shokut Enver Hoxha, me jehonën e madhe brënda dhe jashtë vendit, ishte një ndihmë tepër e madhe për pasurimin e mëtejshëm të romanit, si edhe për konceptimin e plotë të ngjarjes monumentale, që tashmë ka hyrë në histori».[32]
Ky shënim është hipokrit, pasi Kadare, siç citova më lart, tashmë i pati pasur në dispozicion procesverbalet e bisedave të bëra në mbledhjen e Moskës, e megjithatë ai e pati shtrembë­ruar bisedën Hrushov-Hoxha. E megjithatë, dialogu i cituar më lart, midis Enver Hoxhës dhe Hrushovit u dha sipas versionit të parë të dhënë në romanin «Dimri i vetmisë së madhe».[33]
Volumi 19 i veprave të Enver Hoxhës u botua në 1975, ndërsa romani «Dimri i madh», versioni i ripunuar i «Dimrit të vetmisë së madhe» u botua dy vjet më pas, në 1977. Tashmë që qe botuar volumi 19 i Veprave të Enver Hoxhës cilido në Shqipëri mund të zbulonte shtrembërimin e bërë nga Ismail Kadare dhe të pyeste me vete se si ka mundësi që Kadare nuk iu përmbajt bisedave të paraqitura tek volumi 19 i veprave të Enver Hoxhës. Si guxoi që ta bënte këtë gjë? Për këtë ka veç një shpjegim, që Kadare e bëri këtë gjë me porosinë e Enver Hoxhës. Pse? Sepse në romanin e vet Kadare i paraqet ngjarjet jo ashtu siç ato ndodhën, por ashtu sikur do të donin Enver Hoxha dhe regjimi komunist shqiptar që të dukej se kishin ndodhur, pra se qe Enver Hoxha ai që i dëboi sovjetikët nga Vlora. Sa ironike duket ajo që ka thënë Enver Hoxha tek «Hru­shovianët» për ikjen e sovjetikëve nga Vlora: «Nga toka jonë u shporr një herë e mirë një e keqe e madhe».[34]Këtu nuk ka vend për ekuivoke. Ndryshe nga si ka pretenduar më vonë Enver Hoxha, ka qenë Hrushovi ai që donte t’i largonte forcat ushta­rake sovjetike nga baza e Vlorës, ndërsa Enver Hoxha donte t’i mbante ato në Vlorë.
Nga mënyra se si Kadare e ka falsifikuar bisedën Enver Hoxha-Hrushov kuptohet se Kadare ka qenë në dijeni dhe të dokumenteve të tjera, shumë të rezervuara, që i kam cituar më lart dhe që hedhin dritë mbi të vërtetën e krijimit të bazës së Vlorës, si bazë e Traktatit të Varshavës dhe në romanin e vet kër­kon të bëjë alibinë e Enver Hoxhës për një gjë të tmerrshme që kishte thënë ai, për t’u bërë i pëlqyeshëm për sovjetikët, se qe i gatshëm ta sakrifikonte Vlorën për Sevastopolin. Në roma­nin e Kadaresë gjërat paraqiten ashtu siç nuk kanë ndo­dhur, pra që Enver Hoxha nuk donte që Vlora të digjej para Sevastopolit në rast se do të kishte luftë midis NATO-s dhe Traktatit të Var­shavës.
Në mbledhjen e Byrosë Politike, në tetor 1957, Enver Hoxha deklaroi:
«Armatimi i raketave, nëndetëseve, kryqëzorëve etj. në Vlorë e gjatë bregdetit tonë do të tregojë përpara botës se Bash­kimi Sovjetik do ta mbrojë Shqipërinë».[35]
Përgatitjet qenë bërë aq në mënyrë sekrete saqë Enver Hoxha as që e pati gjetur të nevojshme që t’i bënte me dije Byrosë Politike se, tashmë, që në 12 shtator të vitit 1957 Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik patën nënshkruar një protokoll ushtarak, sipas termave të së cilit në bazën ushtarake të Vlorës do të dis­lo­koheshin një numër nëndetësesh sovjetike prej të cilave katër do të vinin që në vitin 1958. Kur ministri sovjetik i mbrojtjes, mareshali Zhukov vizitoi Shqipërinë, në tetor 1957, ai i njoftoi shqiptarët se numri i nëndetëseve që do të vinin vitin e ardh­shëm do të rritej deri në 12. Në Moskë qe marrë vendimi që baza e Vlorës të shndërrohet në bazë të Traktatit të Varshavës, domethënë në bazë ushtarako-detare sovjetike. Në këtë vizitë, mareshali Zhukov, siç del dhe nga ato që thotë Enver Hoxha, erdhi që t’u kërkonte shqiptarëve që ata vetë të dalin me këtë propozim, çka i konvenonte Bashkimit Sovjetik për të ulur disi reagimin ndërkombëtar që do të vinte kur të merrej vesh kjo gjë.
 
Në 3 prill 1959, Shqipëria dhe vendet e Traktatit të Varsha­vës nënshkruan një protokoll ushtarak sipas termave të së cilit baza ushtarako detare e Vlorës bëhej bazë e Traktatit të Varsha­vës. Por, ky qe vetëm një eufemizëm pasi forcat ushtarake nga vendet e Traktatit të Varshavës që erdhën në bazë qenë eksklu­zivisht sovjetike. Forca kryesore e bazës qenë nëndetëset, të cilat qenë 12. Nga këto, 8 qenë me ekuipazh krejt sovjetik, ndërsa 4 qenë me ekuipazh të përzier shqiptaro-sovjetik, por gjithsesi nën komandën e sovjetikëve, pranë të cilëve shqiptarët rrinin për t’u instruktuar. Në mënyrë që të kufizohej sa të qe e mundur më tepër reagimi ndërkombëtar dhe posaçërisht ai i NATO-s, u vendos që ushtarakët sovjetikë të mbanin uniformë shqiptare dhe po ashtu anijet të mbanin vetëm flamurin shqiptar.[36]
 
Enver Hoxha tek «Hrushovianët» e tregon kështu historinë e largimit të sovjetikëve nga Vlora:
 
«Erdhi pas tyre në Tiranë ko­mandanti i flotës së Detit të Zi admirali Kasatonov, me misio­nin që të rrëmbente jo vetëm tetë nëndetëset dhe bazën lundruese me ekuipazh sovjetik, të cilat edhe këto qenë pronë e shtetit shqiptar, por edhe nëndetëset që ne i kishim marrë në dorëzim më parë. I thamë këtij prerë: Ose do të na i dorëzoni nëndetëset sipas marrëveshjes, ose brenda një kohe të shkurtër (i caktuam afatin) të largoheni menjëherë nga gjiri vetëm me anijet që shërbehen nga ekuipazhet tuaja. Ju po shkelni marrë­veshjen, ju po na i grabitni nëndetëset tona dhe do ta paguani këtë qëndrim. Admirali u përpëlit dhe u përpoq të na zbuste, por më kot. Ai nuk i dorëzoi nëndetëset, por shkoi në Vlorë, hipi në nënde­tësen-komandë dhe i rreshtoi të tjerat në formacion lufte. Ne dhamë urdhër të zihej ngushtica e Sazanit dhe të ngriheshin topat në drejtim të anijeve sovjetike. Admirali Kasatonov, që deshi të na trembte, u tmerrua. Ishte zënë si miu në dhokan dhe, po të tentonte të vinte në zbatim planin e tij, mund të gjendej në fund të detit. Në këto kushte admirali u detyrua të merrte vetëm nëndetëset me ekuipazh sovjetik dhe me bisht në shalë doli nga gjiri e u nis për andej nga kishte ardhur».[37]
 
Në rast se gjërat do të kishin shkuar vërtet kështu, atëhere Enver Hoxha, pavarësisht të këqijave që ka bërë, e meritonte që monumenti i vet të qëndronte edhe sot e kësaj dite në bazën detare të Vlorës, në Pasha Liman, ose në qendër të Vlorës. Por, në këtë histori që tregon Enver Hoxha nuk ka asgjë të vërtetë, ajo është fantazi po aq sa ajo që tregon Kadare në romanin «Dimri i vetmisë së madhe» (1973), i ribotuar nën titullin «Dimri i madh» (1977). Në penën e Ismail Kadare, komandanti sovjetik i bazës së Vlorës, gjenerali Zheleznov, mediton:
 
«Në Tiranë kishin filluar bisedimet me shqiptarët për bazën e Vlorës, por ai nuk e dinte mirë për se bëheshin këto bisedime. Në udhë­zimet dhe urdhrat kishte kundërthënie. Ai nuk e dinte nëse baza duhej të mbahej apo të braktisej. Ai nuk e kuptonte se cila ishte dëshira e vërtetë e vendit të tij. Ai, si ushtarak, do të dëshironte të kishte një urdhër të prerë: të mbahej baza me çdo kusht ose të pushtohej baza plotësisht ose të asgjësohej baza. Kurse në urdhrat dhe radiogramet kishte nuanca për të gjitha këto variante. Edhe në radiogramin e fundit kërkohej një men­dim për të gjitha variantet. Në të vërtetë, ai ishte për variantin më të vështirë dhe më të rrezikshëm: të pushtohej baza plo­tësisht. Kjo ishte një nga bazat më të fuqishme të kampit socia­list dhe baza e tij e vetme në detin Mesdhe. Përderisa humbja e saj për shkak të tradhtisë së shqiptarëve, e dobësonte fuqinë ushtarake të kampit socialist, atëherë ajo duhej t’u merrej atyre me forcë. Ai nuk e kuptonte se ç’filozofonin ata burokratët dinakë atje në bisedimet e Tiranës. Nga udhëzimet e tyre nuk merrej vesh asgjë. Ato ishin një përçartje e plotë. Përse nuk e thoshin hapur ç’duhej bërë? Ai Zheleznovi ishte gati, po të paraqitej nevoja, ta pushtonte bazën».[38]
Dhe më tutje në romanin e vet, Ismail Kadare, duke ndjekur si manual fantazitë e Enver Hoxhës, për të cilat ai sigurisht ka qenë instruktuar, shkruan:
«Në orën 10.15 bateritë bregdetare të Karaburunit, si dhe bateritë e ishullit të Sazanit, morën urdhër të godisnin pa para­lajmërim dhe të asgjësonin çdo anije mbiujëse ose nënujëse që do të përpiqej të dilte nga baza e Pasha Limanit. Baza shpallej e mbyllur».[39]
Pra, shqiptarët i kërcënuan me luftë sovjetikët në Vlorë. Në fantazinë enveriane të Kadaresë komandanti shqiptar i bazës, që në fakt sipas organizimit të Traktatit të Varshavës në realitet ka qenë zëvendëskomandant, pasi komandant qe ai sovjetik i Traktatit të Varshavës, i jep një ultimatum këtij të fundit:
«- Zheleznov, - tha komandanti shqiptar, - në qoftë se ti kër­kon të ikësh, me forcë ose fshehurazi, unë do të të quaj si dezertor dhe do të të godas.
- Si guxon të flasësh me mua me një ton të tillë? - vërshëlleu nëpër dhëmbë Zheleznovi, i shfytyruar nga zemërimi.
- E përsëris, - tha tjetri, - në qoftë se ti përpiqesh të ikësh, unë do të quaj si dezertor dhe tradhtar dhe do të të godas gjer sa të të asgjësoj.
- Unë s’pranoj të bisedoj me këtë gjuhë - thirri Zheleznovi dhe ktheu shpinën».[40]


E vërteta e largimit të sovjetikëve nga Vlora është
ndryshe nga ç’shkruajnë Ismail Kadare dhe Enver Hoxha

Se përse Kadare e ndryshoi tekstin e bisedës, kjo është e qartë. Në veprën 19 të Enver Hoxhës gjërat paraqiten ashtu siç kanë ndodhur, pra që Enver Hoxha nuk donte që flota ushta­rako-detare sovjetike të largohej nga Vlora, por këtë e bëri Hru­shovi vetë, me shumë gjasë për shkak se e vuri Shqipërinë në bargaining counter (banakun e pazarllëqeve) gjeopolitike, duke e shkëmbyer me përfitime në zona të tjera. Ndërsa në librin e Kadaresë gjërat paraqiten ashtu siç do të donte Enver Hoxha që të kishin ndodhur, pra që Enver Hoxhës nuk i bëhej vonë nëse sovjetikët do ta hiqnin bazën detare nga Vlora, madje kjo gjë i konvenonte pasi në rast se do të kishte luftë midis NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, atëhere prej faktit që Vlora qe bazë e Traktatit të Varshavës ku qe stacionuar flota sovjetike, Vlora do të goditej dhe do të digjej para portit sovjetik Sevastopolit, në Detin e Zi.
Në kohën që doli romani «Dimri i madh» (1977), versioni i ripunuar i «Dimrit të vetmisë së madhe», tashmë qe botuar volumi 19 i Veprave të Enver Hoxhës ku qenë paraqitur bise­dimet Enver Hoxha-Nikita Hrushovi dhe siç e kam cituar më lart, Kadare në hyrje të romanit pretendon se është bazuar tek volume 19 i Veprave.[41]
E megjithatë, dialogu i cituar më lart në këtë artikull midis Enver Hoxhës dhe Hrushovit u dha sipas versionit të parë të dhënë në romanin «Dimri i vetmisë së madhe».[42]
Tashmë lexuesi shqiptar mund të zbulonte shtrembërimin e bërë nga Ismail Kadare dhe të pyeste me vete se si ka mundësi që Kadare nuk iu përmbajt bisedave të paraqitura tek volumi 19 i veprave të Enver Hoxhës. Si guxoi që ta bënte këtë gjë? Për këtë ka veç një shpjegim, që Kadare e bëri këtë gjë me porosinë e Enver Hoxhës. Pse? Sepse në romanin e vet Kadare i paraqet ngjarjet jo ashtu siç ato ndodhën, por ashtu sikur do të donin Enver Hoxha dhe regjimi komunist shqiptar që të dukej se kishin ndo­dhur, pra se qe Enver Hoxha ai që i dëboi sovjetikët nga Vlora.
Enver Hoxha, pavarësisht kundërshtive të veta ideologjike me Hrushovin, është e sigurt se nuk e donte tërheqjen sovjetike nga Vlora. Kjo kuptohet nga fakti se Enver Hoxha, në Kongre­sin IV të PPSH, në shkurt 1961, pra tre muaj pas mbledhjes së Moskës, u shpreh:
«Shqipëria, me gjithë rrethimin gjeografik kapitalist, nuk është një vend i izoluar nga kampi socialist. Ajo është pjesëtare e denjë e këtij kampi, ajo është pjesëtare e Traktatit të Varsha­vës, ajo ka miq të fortë e besnikë - vendet e kampit socia­­list me Bash­kimin Sovjetik në krye, ajo ka aleatë të gjithë popujt paqe­dashës dhe klasën punëtore të mbarë botës».[43]
Enver Hoxha tek libri «Superfuqitë» e thotë qartë se vendi­min për heqjen e bazës e morën sovjetikët në Mbledhjen e Trak­tatit të Varshavës, në 28 mars 1961:
«Në këtë mbledhje Hru­shovi dhe pasuesit e tij, morën vendimin që t’i ndërpriteshin Republikës Popullore të Shqipë­risë furnizimet me armë dhe ndihmat ekonomike të akorduara në bazë të marrëveshjeve të akorduara më parë, si dhe të hiqej baza ushtarako-detare e Vlo­rës».[44]
Në romanin e vet «Dimri i madh», Ismail Kadare e falsifikon këtë të vërtetë, duke pretenduar sikur në këtë mbledhje u vendos që të okupohej baza nga sovjetikët. Ismail Kadare e bën Enver Hoxhën, që e ka personazh të romanit, të meditojë kështu:
«Enver Hoxha pa orën. Rreth orës një mbërrinte aeroplani i shoqërisë gjermane me të cilin ktheheshin të dërguarit e Shqi­përisë në mbledhjen e Traktatit të Varshavës. Ç’prej njëzete­katër orësh pritej me padurim kthimi i tyre. Në mbledhje ishte shqyrtuar çështja e bazës së Vlorës, kryesisht e nëndetëseve dhe kryqëzorëve të përbashkët. Ata donin të merrnin bazën. Si çdo njeriu të armatosur, të cilit, përpara se t’i bëhet thirrja e fundit për t’u dorëzuar, i kërkohet të japë armën, ata do të kërkonin në fillim t’i merrnin Shqipërisë armën e saj të vjetër e të tmerr­shme, Pasha Limanin».[45]
Pra, Ismail Kadare paska një privilegj të posaçëm nga Enver Hoxha, që të falsifikojë edhe fjalët dhe veprimet e këtij të fundit kur është e nevojshme. Që baza e Vlorës u prish si bazë e Traktatit të Varshavës, me vullnetin e njëanshëm të sovjetikëve, kjo kuptohet dhe nga Letra e Komitetit Qendror të PPSH dhe e Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik, në 6 korrik 1961, pra gjashtë javë pas largimit të sovjetikëve nga baza e Vlorës. Në këtë letër thuhet:
«Komiteti Qendror i Partisë së Punës dhe Këshilli i Minis­trave i Republikës Popullore të Shqipërisë vendimin e udhëheq­jes sovjetike për të prishur bazën ushtarako-detare të Vlorës e kon­sideron si një ngjarje të hidhur në historinë e marrëdhënieve shqip­taro-sovjetike. Ne kemi të drejtë të themi se në këto mo­me­nte, kur nga ana e imperialistëve dhe shërbëtorëve të tyre komplo­tohet kundër Republikës Popu­llore të Shqipërisë dhe kur situata ndërkombëtare është shumë e rëndë, udhëheqja e Partisë Komu­niste dhe e Shtetit Sovjetik e mikut e aleatit tonë të fuqi­shëm e besnik, Bashkimit të lavdi­shëm Sovjetik, duhej të na ndih­­monte për të forcuar akoma më shumë potencialin tonë mbroj­tës dhe jo ta dobësonte këtë poten­cial dhe të na krijonte situata të rrezikshme siç bëri me vendi­min për të likuiduar bazën ush­ta­rako-detare të Vlorës që mund të përshëndetet vetëm nga ar­miqtë e vendeve tona socialiste. Këto veprime të padrejta që bëhen kun­dër Shqipërisë, bëhen njëkohësisht kundër gjithë kam­pit socialist, ato janë në dëm të vetë Bashkimit Sovjetik dhe ngar­kojnë me përgjegjësi të madhe ata që i vendosin dhe i kryejnë».[46]
Këtu çdo gjë del e qartë. Dhe në librin «Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë» shkruhet se pas vendimit të mbledhjes së Traktatit të Varshavës të 28 marsit 1961: «Fill pas kësaj, në maj, ajo (qeveria sovjetike - K. M.) prishi arbitrarisht marrëve­shjet dypalëshe në fuqi mbi detyrimet që kishte marrë në për­puthje me Traktatin e Varshavës, duke prerë krejt dërgimin e arma­timeve dhe të teknikës tjetër për ushtrinë popullore shqiptare. Ajo tër­hoqi para syve të gjithë botës anijet e bazës detare luftarake të Vlorës dhe i grabiti Shqipërisë tetë nëndetëse si dhe luftanijet shqiptare që ndodheshin në riparim në Sevastopol. Këto veprime dobëso­nin fuqinë mbrojtëse të Republikës Popullore të Shqipë­risë dhe të kampit socialist, nxisnin shumë lakmitë e im­per­ia­lis­tëve ameri­kanë, të monarkofashistëve grekë dhe revizio­nis­tëve komploti­stë jugosllavë. Megjithatë PPSH nuk i dënoi botë­risht këto vep­rime armiqësore të klikës së Hrushovit. Për­kundrazi, KQ i PPSH edhe në korrik 1961 i shkruante KQPKBS: «duhet të hiqet dorë nga shtrirja e mosmarrëveshjeve ideo­lo­gjike, që ekzistojnë midis dy partive tona, në fushën e marrë­dhënieve shtetërore, qoftë në lëmin ekonomik, qoftë në atë politik e ushtarak».[47]
Pra, është e qartë se nuk qe Enver Hoxha ai që donte largi­min e sovjetikëve nga Vlora, pavarësisht divergjencave ideolo­gjike, që në fakt patën të bënin vetëm me frikën e Enver Hoxhas se politika e destalinizimit e ndjekur nga Hrushovi do ta lar­gonte atë nga pushteti. Kështu, edhe 20 vjet pas prishjes së marrë­dhënieve diplomatike mes dy vendeve nga ana e Bashki­mit Sovjetik, Enver Hoxha deklaronte botërisht se po të ishte për të Bashkimi Sov­jetik duhej të kishte ende ushtrinë e vet në Shqipëri, dhe Shqi­përia të ishte në aspektin politik e ekonomik një satelit sovjetik. Sa absurde dhe hipokrite dukej nën dritën e kësaj deklarate fja­limi i Enver Hoxhës i vitit 1962, ku ai mbu­rrej se kishte çelësat e Otrantos dhe nuk e lejonte flotën sovje­tike të kalonte.
Ndryshe nga ç’thotë Ismail Kadare, komisioni i përbashkët shqiptaro-sovjetik që diskutonte në Tiranë për çështjen e bazës së Vlorës, nuk merrej me gjë tjetër veç modaliteteve të likui­di­mit të bazës së Vlorës si bazë e përbashkët, për shkak se ven­dimi për këtë gjë qe marrë në mbledhjen e Traktatit të Varsha­vës, në mars 1961. Ndërsa komisioni i përbashkët shqiptaro-sovjetik për çështjen e bazës që përmend Kadare në romanin e vet, në letrën që Komiteti Qendror i PPSH dhe Qeveria e Shqipërisë u çojnë homologëve sovjetikë në 6 korrik 1961 përmendet si «Komisioni i përbashkët shqiptaro-sovjetik për evakuimin e forcave ushtarako-detare sovjetike nga baza e Vlorës dhe që zhvilloi punimet e tij në Tiranë, më 22-25 maj 1961».[48]
Në ndërkohë fati i bazës qe vendosur definitivisht.
Ndryshe nga ç’thotë Kadare, SHBA dhe jo Enver Hoxha
e larguan flotën sovjetike nga Vlora

Këtu lind pyetja, përse Hrushovi donte t’i largonte forcat sovjetike nga Vlora dhe Enver Hoxha donte t’i mbante? Në kohën kur zhvillohej biseda e cituar më lart mes Hrushovit dhe Enver Hoxhës (nëntor 1960) si dhe kur u tërhoqën forcat sovje­tike nga Vlora (maj-qershor 1961), në marrëdhëniet sovjeto-amerikane qe në kulmin e vet ajo që u quajt «Kriza e Berlinit». Sovjetikët i shqetësonte mjaft situata në Berlin, i cili qe një qytet i ndarë në zona okupacioni midis fuqive fituese të luftës, i ndodhur brenda territorit të shtetit-satelit dhe praktikisht të okupuar nga sovje­tikët, Republikës Demokratike Gjermane. Sta­tusi i qytetit pati mbetur i papërcaktuar juridikisht, për shkak të fillimit të Luftës së Ftohtë. Nëpërmjet Berlinit, ku ende nuk qe ndërtuar muri, gjith­herë e më tepër qytetarë gjermanolindorë kalonin në Perën­dim. Kjo nuk qe vetëm një gjë poshtëruese për kampin komunist, por rrezikonte edhe shpërbërjen e Gjermanisë Lindore, çka do të iniconte një reaksion zinxhir në vendet sate­lite të Kremlinit.
Prandaj, që nga viti 1958, Hrushovi filloi t’i drejtontë Perë­ndimit dhe në radhë të parë SHBA-ve ultimatumet gjashtëmu­jore për Berlinin, sipas të cilave, nëse fuqitë okupuese të Ber­linit nuk arrinin një akord, të kënaqshëm për sovjetikët, për çështjen e statusit të qytetit, atëhere sovjetikët do të bënin një zgjidhje të njëanshme, duke ia transferuar të drejtën e tyre mbi Berli­nin qeverisë së RDGJ. Kjo praktikisht qe një provokacion, i mjaftueshëm për të shkaktuar një luftë botërore, pasi shtetet perëndimore nuk e njihnin shtetin gjermanolindor dhe midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë Perëndimore, që qe anëtare e NATO-s, nuk qe nënshkruar ende traktati i paqes. Ultimatu­min e parë Hrushovi e bëri në nëntor 1958 dhe afati i tij skadoi në maj 1959, pikërisht në ditët kur Hrushovi gjendej për vizitë në Shqipëri, kur vizitoi edhe Vlorën. Në gjuhën diplomatike kjo do të thoshte se Hrushovi po e ofronte largimin sovjetik nga Shqipëria dhe baza e Vlorës si quid pro quo (kompensim) për Perëndimin, që ky të pranonte pax rusa për Berlinin. Më pas Hrushovi do ta shtynte disa herë afatin e ultimatumit të vet, deri në ndërtimin e Murit të Berlinit, në gusht 1961, ndërtim i cili qe synimi i Hrushovit. Sovjetikët qenë të vetëdijshëm se po ofro­nin një kompensim të rëndësishëm. Baza e Vlorës qe i vetmi avanpost i Traktatit të Varshavës në Mesdhe.
Që largimi i flotës sovjetike nga Vlora qe pasojë e marrë­veshjes Hrushov-Kennedy kjo kuptohet nga fakti se largimi i flotës sovjetike ndodhi pak ditë para takimit Hrushov-Kennedy, që u mbajt në Vienë, në 3-4 qershor 1961. Hrushovi e pati shtyrë ultimatumin për Berlinin në maj 1960, duke pritur zgjedhjen e Presidentit të ri amerikan në nëntor, me të cilin donte të nego­cionte për Berlinin. Amerikanët donin që kriza e Berlinit të merrte fund dhe nuk donin që të fillonin Luftën e Tretë Botërore për Berlinin. Ata qenë dakord që kriza e Berlinit të zgjidhej në frymën e parimit të ndarjes së zonave të influencave, por donin që të siguronin dhe një quid pro quo (kompensim) për lëshimin që po bënin duke pranuar ndarjen e Berlinit, i cili me marrë­veshjet e të mëdhenjve qe parashikuar të qe qytet i hapur. Në kushtet e luftës së ftohtë hapësira për kompensim gjeopolitik qe shumë e vogël dhe e vetmja që mbetej në bargainin counter qe baza e Vlorës. Në takimin Hrushov-Kennedy që u mbajt në Vienë në 3-4 qershor 1961, të dy palët u pajtuan me zgjidhjen e krizës së Berlinit, sipas parimit të ndarjes së zonave të influen­cës, çka do të thotë se amerikanët u pajtuan në parim me ndër­timin e Murit të Berlinit. Aspekti praktik u mbetej sovjeti­këve, të cilët për turpin e tyre dhe të kampit komunist e reali­zuan me ndërtimin e murit, çka dëshmonte dhe frikën e tyre.
Pas vendimit të Kremlinit për të larguar forcat sovjetike nga Vlora dhe për të prishur në përgjithësi marrëveshjet ushtarake me Shqipërinë, në maj 1961 në Tiranë u krijua komisioni i për­bashkët për ndarjen e aseteve të bazës. Marrëveshja për ndarjen e aseteve u arrit shpejt, duke marrë sovjetikët 8 nëndetëse dhe anijen-bazë furnizimi të nëndetëseve, ndërsa pala shqiptare mbajti 4 nëndetëse. Në 26 maj 1961 anijet sovjetike u larguan nga Vlora, në drejtim të Gjibraltarit për të shkuar në Balltik. Sovjetikët i lanë Shqipërisë minimumin e forcës që të mos akuzoheshin se lanë një vend komunist të pambrojtur para im­pe­rializmit. Në 5 qershor 1961 nga Vlora u larguan dhe instruk­torët ushtarakë sovjetikë. Tashmë, amerikanët mund t’u jepnin sovjetikëve dorë të lirë në Berlin. Disa javë pas largimit të sovjetikëve nga Vlora, në 13 gusht 1961, sovjetikët, duke vep­ruar me anë të puppet strings të tyre gjermanolindorë, mbyllën zonën e tyre të okupa­cionit në Berlin dhe katër ditë më pas, në 17 gusht, filloi ndër­timi i Murit të Berlinit. Reagimi i SHBA-ve qe vetëm retorik, pasi në ndërkohë marrëveshja qe arritur.
Që largimi i sovjetikëve nga Vlora u bë pas një marrëvesh­jeje me SHBA-të, për këtë indirekt i ka akuzuar sovjetikët edhe Enver Hoxha kur shkruan në Letrën që Komiteti Qendror i PPSH i çoi Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bash­kimit Sovjetik në 12 tetor 1961, ku thuhet:
«Likuidimi i bazës së Vlorës gëzoi pa masë vetëm armiqtë e socializmit, armiqtë e Shqipërisë dhe të Bashkimit Sovjetik, gëzoi imperialistët ameri­kanë dhe aleatët e shërbëtorët e tyre, të cilët mendojnë se tashmë Shqipëria është ‘e zbuluar’, se pellgu i Mesdheut në rast lufte është plotësisht në duart e tyre».[49]
Këtu nuk ka nevojë për koment.
Që pati një marrëveshje sovjeto-amerikane për një bargain Vlorë-Berlin kjo kuptohet dhe nga fakti se çfarë ndodhi në 3-5 gusht 1961, pra pak ditë para fillimit të ndërtimit të barrierës së Berlinit, kur në Moskë u mbajt takimi i sekretarëve të parë të vendeve të Traktatit të Varshavës, që do të diskutonte çështjen gjermane, praktikisht ndërtimin e Murit të Berlinit. Nga Shqipë­ria u nis një delegacion me në krye Ramiz Alinë, anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH. Lidhur me këtë Enver Hoxha shkruan tek «Superfuqitë»: «Ramizi u kthye nga Moska dhe raportoi për mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës për çështjen e traktatit të paqes me Gjermaninë. Atë e nxorën nga mbledhja në mënyrën më të poshtër. Nuk i dhanë as fjalën, nuk e lejuan të fliste. Banditi Hrushov në mënyrë skandaloze e pengoi të fliste, sido që për këtë u bë një debat i ashpër midis Ramizit dhe Hru­shovit. Ulbrihti propozoi përjashtimin tonë nga mbledhja dhe dërgimin e një letre armiqësore Komitetit Qendror të Partisë sonë, gjë që u aprovua nga gjithë të tjerët, me përjashtim të ambasadorit kinez».[50]
Enver Hoxha pati frikë se mos Hrushovi e kishte shitur krejt tek amerikanët dhe se ishte pajtuar që amerikanët ta përmbysnin krejt regjimin komunist në Shqipëri. Prandaj Enver Hoxha sajoi një histori sikur zbuloi një plan të SHBA-ve për të invaduar Shqi­përinë nga deti, në konspiracion me oficerë të lartë shqip­tarë, që u arrestuan dhe u nxorën në gjyq. Me këtë Enver Hoxha donte t’i bënte sovjetikët që mos ta largonin flotën e tyre nga Vlora. Enver Hoxha u shpreh në Kongresin IV, në shkurt 1961:
«Unë mund t’i deklaroj Kongresit, popullit, partisë, se këto dy fuqi fqinje, Jugosllavia dhe Greqia, në bashkëpunim me disa tradh­tarë shqiptarë brënda vendit dhe të arratisur në Jugosllavi dhe në koordinim me Flotën e 6-të amerikane në Mesdhe kishin organizuar disa muaj më parë sulmin mbi Shqipërinë me qëllim që të likuidonin Republikën Popullore të Shqipërisë. Komploti krimi­nal dështoi fund e krye».[51]
Pra armiku ishin SHBA dhe aleati Rusia. Pasi dëgjoi dekla­ra­tën e Enver Hoxhës, delegacioni sovjetik i kërkoi Enver Hoxhës që të sqaronte arsyen se përse nuk u pati çuar informacion vendeve të Traktatit të Varshavës për këtë komplot ndërkombë­tar për të mësyrë ushtarakisht Shqipërinë, gjë që ishte obliguese, sipas termave të traktatit, si dhe kërkoi në emër të Traktatit të Varshavës të dhëna të plota për këtë aferë, pasi një sulm kundër Shqipërisë, një vendi anëtar të Traktatit të Varshavës, qe baraz me një sulm kundër të gjitha vendeve të Traktatit të Varsha­vës.[52]
Enver Hoxha nuk i dha kurrë këto të dhëna, se ato nuk ekzis­tonin dhe ishin një truk që Enver Hoxha të mbetej nën ombre­llën e Traktatit të Varshavës. Prandaj, Enver Hoxha nuk e bëri publike prishjen sovjeto-shqiptare, por reagoi vetëm pasi u ata­kua publikisht nga Hrushovi, dhe për ta bërë këtë gjë madje priti rreth tre javë. Në Kongresin XXII të PKBS, në tetor 1961, Hrushovi, duke e bërë publike prishjen me PPSH-në dhe Enver Hoxhën u shpreh, duke përdorur një figuracion biblik, se «udhë­heqja e PPSH u shit tek imperializmi për 30 aspra». Sigurisht që Hrushovi me këtë gjë donte të justifikonte faktin që ai e kishte shitur një satelit sovjetik në një Pazar me SHBA. Enver Hoxha, duke iu përgjigjur Hrushovit, pak ditë më vonë, në fjalimin e mbajtur në Tiranë në 7 nëntor 1961, në solemnitetin me rastin e 20-vjetorit të krijimit të PPSH-së dhe 44-vjetorit të Revolucio­nit të Tetorit, tha fjalët famëkeqe tashmë të njohura:
«Populli shqiptar dhe Partia e tij e Punës do të rrojnë edhe me bar po të jetë nevoja, por kurrë nuk do të shiten ‘për 30 aspra’, se ata preferojnë më mirë të vdesin në këmbë e me nder se sa të rrojnë me turp e të gjunjëzuar».
Pra, siç e kam thënë edhe më sipër,[53]Enver Hoxha e bëri të qartë se nuk do të kishte orientim të Shqipërisë nga Perëndimi pas prishjes me Bashkimin Sovje­tik, sikur pati ndodhur me Jugoslla­vinë pas vitit 1948, kur Tito u prish me Stalinin. Se Enver Hoxha deri tek limitet ku e kishte hapur Tito Jugosllavinë ndaj Perëndi­mit, mund të shko­nte, pa pasur frikë se cënonte marrëveshjen e fshehtë sov­jeto-amerikane. Por Enver Hoxha nuk e bëri këtë se ai e shi­konte linjën staliniste si më konvenuese për sundimin e vet, edhe pse ishte absolutisht destruktive për Shqipërinë. Dhe kjo zgje­dhje qe e kuptueshme, pasi Enver Hoxha u prish me Hrushovin se ky hodhi poshtë kultin e Stalinit. Shqipëria do të qe këtej e tutje njëlloj armike e kampit socialist me në krye Bashkimin Sovjetik dhe e Perëndimit kapitalist me në krye SHBA, një vend stalinist i izoluar midis dy blloqeve, duke pasur vetëm miqësinë me vlerë të dyshimtë të Kinës maoiste. Enver Hoxha e paraqiti këtë kurs të ri të Shqipë­risë si të ardhur nga tradita historike e Shqipërisë, sikur Shqipëria në shekuj pati provuar keqdashjen dhe armiqësinë e të dyve, Lindjes dhe Perë­ndimit dhe sikur Shqi­përia historikisht pati qenë e shtrën­guar të luftonte dhe t’u rezis­tonte njëlloj të dy palëve,duke mbi­jetuar e vetme dhe duke for­mësuar kështu një identitet të veçantë, përtej kulturës së dy arealeve globale.
Presidenti Kennedy u kritikua gjerësisht për faktin që nuk reagoi për të ndaluar ndërtimin e murit të Berlinit dhe kjo i quhet atij si një nga gabimet që bëri. Në anën tjetër atij as që i njihet fare merita e heqjes së flotës sovjetike nga Vlora, çka qe një fitore e madhe strategjike për NATO-n. Por, ky është fati i burrave të mëdhenj të shtetit. Të vërtetat e mëdha të bargaing gjeopolitik nuk janë shënuar nëpër arkiva, ose janë shënuar në ato dokumente që mbahen në arkiva që nuk do të hapen kurrë. Kurrkujt sot nuk i intereson të zbulojë se Berlini «u shkëmbye» me Vlorën. Por, ky është ekzagjerim, se Vlora nuk vlente sa Berlini do të thotë shumëkush. Ashtu është, por në Berlin amerikanët kishin pak çka të pretendonin, pasi atje zonat e influencës qenë ndarë në mënyrë strikte, kështu që fleksibiliteti i Berlinit në bargaining counter relativizohej mjaft, duke u barazuar praktikisht me Vlorën. Ishte sigurisht zgjuarsia dhe prakticiteti i Kennedy-t që e kuptoi këtë dhe pati kurajon ta bënte këtë shkëmbim, të cilin p.sh. Presidenti Eisenhower (Ajzenha­uer) para tij nuk e bëri.
Mbi këtë ngjarje, historiografia shqiptare nuk ka hedhur dritë siç duhet, kjo dhe për faktin se arkivat e kancelarive të fuqive të mëdha mbeten ende të mbyllura për çështje të tilla, sa u përket dokumenteve më të rëndësishme. Kjo ka bërë që pak a shumë të mbijetojë në formë miti historik, ose më saktë të mos kundër­shtohet në mënyrë bindëse me dokumente të huaja, versioni i dhënë nga Enver Hoxha, sikur sovjetikët u detyruan të largohen nga Vlora, për shkak se Enver Hoxha u prish me shefin komu­nist të Bashkimit Sovjetik, Hrushovin, kryesisht për çështjen e Stalinit. Enver Hoxha ka krijuar mitin sikur është ai që i shpëtoi vendet fqinje dhe ato të Mesdheut nga një bazë që sovjetikët do ta kishin përdorur për okupimin e tyre. Në kujtimet e veta Enver Hoxha tregon për dy biseda midis Hrushovit dhe ministrit sov­jetik të mbrojtjes, mareshalit Malinovski, gjatë vizitës që këta bënë në Shqipëri, në 1959:
«Pas nja dy ditësh po të njëjtën gjë do ta përsëritnin në Vlorë. Kishin dalë në verandën e vilës tek Uji i Ftohtë.
- E mrekullueshme, e mrekullueshme! - thirri Hrushovi dhe u drejtua nga Malinovski. Mendova se e kishte fjalën për peiza­zhin vërtet mahnitës të rivierës sonë. Por mendja e tyre rrihte gjetkë:
- Çfarë gjiri i sigurt rrëzë këtyre maleve! - thanë. - Që këtu me një flotë të fuqishme ne kemi në dorë krejt Mesdheun, që nga Bosfori e gjer në Gjibraltar! Mund të bëjmë zap këdo.
M’u drodh mishi kur i dëgjoja të flitnin kështu si zotër të deteve, të vendeve, të popujve. Jo, Nikita Hrushov, thashë me vete, kurrë s’do të lejojmë që nga toka jonë të nisë robëria dhe gjakderdhja e vendeve të tjerë. Kurrë s’do të kesh të tuat për ato qëllime të zeza as Vlorën, as një gisht të tokës shqiptare».[54]
Është e habitshme se si Enver Hoxha ka pasur paturpësinë që t’i shkruajë këto gjëra dhe t’ua shesë vendeve mesdhetare për të vërteta, kur sipas dokumenteve të botuara nga ai vetë dhe të cituara më lart në këtë studim, vetë Enver Hoxha ka kërkuar që baza e Vlorës të mbetet si bazë e Traktatit të Varshavës, pra sovjetike, dhe e ka akuzuar Hrushovin për tradhti ndaj kampit socialist që e prishi këtë bazë. Në kontekstin e dokumenteve të botuara nga vetë Enver Hoxha fajësia e tij bëhet edhe më e madhe kur kërkonte që të mbetej baza e Vlorës si bazë e Trak­tatit të Varshavës, pra sovjetike, pasi ai i dinte mirë qëllimet për të cilat donin ta përdornin sovjetikët atë.
Gjithashtu, Enver Hoxha në librin «Dy popuj miq», i cili ishte një investim që Enver Hoxha bënte për të krijuar një imazh të mirë për veten në Greqi, shkruan:
«Po ky Malinovski i tha përsëri Hrushovit në Butrint: ‘Liqen i bukur ky. Po të çahet bregu i detit, këtu afër mund të ndërtohej një bazë e mreku­llueshme nëndetësesh, atëherë dhe Greqia do të bëhej e jona’.

Më shkuan drithma në trup dhe m’u kujtua ajo natë e errët në Tiranë kur tok me Vasil Shanton ngjitëm në mure pllakatet: ‘Poshtë fashizmi italian! Rroftë populli vëlla grek që lufton për liri!’ Jo, Partia dhe qeveria jonë nuk do të lejonin kurrë që nga vendi i ullinjve t’i vinte e keqja popullit vëlla grek».[55]

Duke ndjekur Enver Hoxhën hap pas hapi, edhe Kadare i ka bërë këto dy përralla pjesë të romanit të vet.[56]
Pra, populli grek duhej t’i qe mirënjohës Enver Hoxhës që i dëboi sovjetikët nga Vlora dhe nuk i lejoi të ndërtojnë bazën ushtarake dhe në Butrint, duke e shpëtuar kështu Greqinë nga ekspansioni sovjetik. Sa ironike ngjajnë këto që shkruan Enver Hoxha, po të konsiderosh dokumentet që ai ka botuar vetë, ku me gojën e vet u kërkon sovjetikëve që mos ta largojnë bazën nga Vlora dhe ku i akuzon se duke bërë këtë dobësuan kampin socialist! Dhe veç kësaj, edhe një nënoficer grek marine e kuptonte se baza e nëndetëseve në Butrint nuk kishte vlerë pasi hyrjen e saj e bllokonte ishulli i Korfuzit, i cili qe në dorën e grekëve dhe nëndetëseve do t’u duhej të kalonin në Kanalin e ngushtë të Korfuzit për të dalë në det të hapur. Por, mjaft që grekët të vendosnin një bateri topash në breg të Korfuzit për t’i asgjësuar nëndetëset që në dalje, për të mos folur për armë më të sofistikuara, që në atë kohë Greqia i merrte nga NATO.


E vërteta mbi kritikat ndaj «Dimrit të vetmisë së madhe»

Ismail Kadare, në periudhën paskomuniste është përpjekur që të krijojë një legjendë sikur regjimi komunist e priti keq romanin e tij «Dimri i vetmisë së madhe» (1973) dhe se Kadare për këtë arsye qe në prag të eliminimit. Këtë legjendë është përpjekur ta mbështetë edhe kadareologu Shaban Sinani me librin e vet «Një dosje për Kadarenë» (2005), të llogaritur krye­sisht për të manipuluar opinionin ndërkombëtar, ku paraqiten dokumente nga arkivat e kohës së komunizmit që përmban kritikat që i bënin romanit të Kadaresë, që prej njerëzve të thjeshtë dhe deri funksionarë të lartë të regjimit. Ismail Kadare, në librin «Kohë barbare», që është një intervistë që ai i ka dhënë gazetarit Denis Fernandez Recatala, zhvillon këtë dialog me këtë gazetar, duke dashur të tjetërsojë prononcimin e Enver Hoxhës për romanin:
«- Cilat ishin pasojat në momentet e para?
- Të kundërta me ato që prisja. Kundër meje u ngrit një fushatë e egër. Shtypi i bënte jehonë shqetësimit që me gjasë po përshkonte mbarë vendin. Botoheshin një ortek letrash që i dër­gonin studentë, ushtarë, policë, militantë, veteranë komu­nistë, organizata gjithfarëshe... Dhe sa vinte e shtoheshin...
- Kjo fushatë ishte e telekomanduar?
- Thashë se bëhej fjalë për një fushatë, por më tepër i ngjante një stuhie, një uragani. Gjatë një periudhe prej më shumë se tre muajsh nuk pati ditë që të mos kishte protesta, artikuj që më dënonin, deklarata ministrash apo anëtarësh të Byrosë Politike. Në vijim të mbledhjeve militantët dërgonin telegrame ku kërko­nin ndalimin e romanit. Diktatura ishte tronditur.
Edhe ministri i brendshëm u përzie në këtë çështje. Ai dekla­roi: ‘Dyzet faqe lexova nga ky libër dhe dyzet herë pështyva’. Në Tiranë të gjithë pyesnin: ‘E dëgjove deklaratën e ministrit të brendshëm? Përse nuk ndihet Enver Hoxha?»[57]
Sipas praktikës së regjimit komunist, një njeri për të cilin qenë thënë këto gjëra, që supozon Kadare se janë thënë për të, aq më tepër dhe nga Ministri i Brendshëm, atëhere ky njeri qe i dënuar me vdekje, aq më tepër në vitin 1973, kur në vend regjimi pati ngritur një stuhi kundër shkrimtarëve dhe artistëve, të akuzuar për «liberalizëm». Por, me Kadarenë nuk ndodhi si me shumë kolegë të vet, që përfunduan në burgje dhe internime. Por cilat kanë qenë kritikat ndaj librit të Kadaresë? Shaban Sinani i ka mbledhur ato me zell në arkiva dhe i ka paraqitur në librin e vet për Kadarenë. Në librin e Shaban Sinanit, «Një dosje për Kadarenë», si kritika e parë publikohet një dokument i datës 8 maj 1973, që është një informacion i Komitetit të PPSH për Tiranën që i adresohet Komitetit Qendror dhe përmban «informacionin mbi disa mendime të shfaqura në organizatën e pedagogëve të shkollës së partisë ‘V. I. Lenin’ për romanin ‘Dimri i vetmisë së madhe’ të I. Kadaresë».[58]
Ky dokument, që është nënshkruar nga Sekretari i Komitetit të Partisë të Tiranës, Dashnor Mamaqi, botohet me shënimin e Shaban Sinanit: «Është fakt i njohur që diskutimi në shkollën e partisë ‘V. I. Lenin’ dhe disa letra të komiteteve të partisë në rrethe nxitën një debat tejet kritik që zgjati për disa muaj me radhë në gazetën ‘Zëri i Rinisë’, debat që mori karakterin e një fushate të vërtetë».[59]
Sipas atyre që thuhen në librin e Shaban Sinanit (f. 205) të nesërmen e dërgimit të këtij informacioni, në 9 maj, Komitetit Qendror i vjen një informacion nga Komiteti i PPSH-s për Elba­sanin, i firmuar nga Sekretari i Parë Jashar Menzelxhiu ku jepen mendimet dhe vërejtjet, siç thuhet të kuadrove, komunis­tëve dhe të rinjve, mbi këtë roman. Ky është informacioni që pak më pas do të shkaktonte reagimin e Enver Hoxhës gjatë vizitës në Elbasan. Në këtë informacion të dërguar nga Komiteti i PPSH për Elbasanin thuhet:
«Këto ditë ka dalë në qarkullim romani ‘Dimri i vetmisë së madhe’ i shkrimtarit Ismail Kadare. Lexues të ndryshëm, disa kuadro e komunistë, të rinj etj. kanë shfaqur mendimet e vërej­tjet e tyre për këtë roman».[60]
Në librin e Shaban Sinanit thuhet se ky informacion i ardhur nga Komiteti i Partisë i Elbasanit, u mor nga Ramiz Alia në 12 maj 1973, i cili bëri shënimin «Për sh. Enver dhe sh. Hysni».[61]Në dokument thuhet: «E pa sh. Enver, 18.5.1973».[62]
Më tutje në dokument thuhet: «Arkivuar më 25.5.1973, pa ndonjë porosi ose urdhër».[63]
Kadare ka të drejtë kur thotë se ishte fjala për një fushatë kritikash të komanduar nga lart, nga regjimi, por nisur nga më­nyra se si përfundoi kjo histori mund të thuhet se kjo fushatë u bë për t’i shërbyer Kadaresë. Të mos harrojmë se ishte koha kur Enver Hoxha kishte filluar një tjetër fushatë për ta promovuar Kadarenë si shkrimtar në Perëndim. Romani i Kadaresë «Dimri i vetmisë së madhe», i pari roman i madh i tij, u botua në prill 1973, para Plenumit IV të KQ të PPSH, që goditi shkrimtarët dhe artistët dhe që bëri bujë në Perëndim, si maoizëm i aplikuar në Europë. Enver Hoxha e kuptonte se Kadare do të ishte në pozitë shumë të keqe në Perëndim, nëse ai e kalonte pa u prekur fare këtë fushatë represive ndaj shkrimtarëve dhe artistëve, pasi kështu Kadare do të dukej thjesht si një propagandist i regjimit. Pra, duhej goditur paksa edhe Kadare, për t’i dhënë atij një «gjethe fiku» me të cilën të mbulonte lakuriqësinë e letrarizuesit të formulave ideologjike të Enver Hoxhës. Në anën tjetër, nga kjo «goditje» ndaj Kadaresë përfitonte edhe regjimi i Enver Hoxhës se me këtë i thoshte botës se në Shqipëri nuk po ndodh «apokalipsi» me shkrimtarët dhe artistët, se ja, Kadare që është kritikuar lejohet të dalë në Perëndim. Pra, fushata ishte e koma­n­duar nga Enver Hoxha, në dobi të Kadaresë dhe të vetë Enver Hoxhës. Ajo që të bën përshtypje në informacionin e cituar më lart është se atje thuhet: «Për t’i rritur vlerën këtij romani kanë qarkulluar mendime të papjekura se këtë roman e ka lexuar dhe e ka aprovuar sh. Enver».[64]Por duket se është e vërtetë derisa Ramiz Alia informacionet me kritikat ndaj Kadaresë ia çon personalisht Enver Hoxhës. E vërteta e kësaj ngjarjeje kuptohet nga mënyra se si ajo u mbyll, çka është çelësi për të zbuluar të vërtetën e gjërave të tilla në regjimet totalitare. Ajo që kishte rëndësi në regjimin komunist qe fjala e diktatorit, para të cilit të gjithë, që nga nr. 2 i regjimit dhe deri tek punëtori më i fundit, qenë thjesht «insekte» nën këmbët e «faraonit» të kuq, që ai mund t’i shtypte kur të donte, siç edhe e tregoi koha. Në raport me diktatorin, edhe fjala e një politbyroisti nuk kishte rëndësi më tepër se fjala e një punëtori të thjeshtë, çka vërtetohet edhe me rastin e kritikave për këtë roman të Kadaresë, që u shuan sikur të kishte shtypur dikush një buton, pasi u prononcua Enver Hoxha në favor të Kadaresë.
 
Kritikat kundër Kadaresë, në vitin 1973, në kohën kur në vend regjimi pati ngritur një stuhi kundër shkrimtarëve dhe artistëve, të akuzuar për «liberalizëm», qenë thjesht një inerci e furtunës që u ngrit mbi gjithë botën e artit në Shqipëri në atë kohë dhe që çoi në burgje, internime, deri edhe pushkatim, qindra shkrimtarë, poetë, piktorë, këngëtarë, aktorë, skulptorë, regjisorë, pianistë, violinistë, kompozitorë etj. Por, me Kada­renë nuk ndodhi si me shumë kolegë të vet, që përfunduan në burgje dhe internime, se vetë diktatori ndërhyri, ashtu si monar­kët absolutë që u akordonin subjekteve të tyre ligje private (prej këtej fjala «privilegj») për të thënë se Kadare qe jashtë juridik­sionit të «diktaturës së proletariatit». Kadare është përpjekur ta tjetërsojë këtë prononcim të Enver Hoxhës. Shikoni këtë bashkë­bisedim të Deniz Fernandez Recatala me Kadare:

«- Enver Hoxha nuk u prononcua?
- Posi jo, gjatë një mitingu të militantëve në qytetin e dytë të vendit. Nytyrisht, ishin përgatitur pyetje lidhur me problemin tim: ’Shoku Enver, përse nuk merren masa ndaj autorit, përde­risa romani i tij ka shkaktuar një mospëlqim të përgjithshëm?’
 
- Dhe si u përgjigj ai?
 
- Me një përgjigje inteligjente, dinake, djallëzore... E pranoi se e kishte lexuar romanin dhe se kishte dijeni për shqetësimin e shokëve të tij të luftës. Ai i kuptonte reagimet e tyre, revoltën e tyre të ligjshme. Por... por duheshin kuptuar dy gjëra: e para ishte se ‘shkrimtarët nuk janë si ne’. Ata janë intelektualë. Idetë e tyre janë të ngatërruara. Ata përdorin metafora, pra me një fjalë mendja u fluturon në qiell. Kthjelltësia e tyre nuk krahaso­het me kthjelltësinë tonë prej komunisti.
 
Pastaj, ç’do të mendojnë sovjetikët në qoftë se e dënojmë autorin? Ata do të thonë se janë shumë të fuqishëm (megjithë sulmet që autori drejton ndaj tyre në libër) dhe do të mburren me dënimin që do të marrë ky autor. Do të thonë: ‘Sa shumë na duan në Shqipëri!’ Ja pse këtë çështje duhet ta zgjidhim me të butë».[65]
 
Por, e vërteta e dokumentuar është ndryshe nga ç’thotë Kadare. Enver Hoxha u prononcua për romanin «Dimri i vetmisë së madhe», në 15 maj 1973, gjatë një vizite në Elbasan. Pronon­cimi i Enver Hoxhës është botuar në volumin 51 të Veprave të Enver Hoxhës (f. 71-77), me titull «Kritikat dhe vërejtjet për një vepër letrare duhen bërë me kujdes e me vend dhe të jenë shoqërore», me nëntitull «Disa mendime rreth romanit të Ismail Kadaresë ‘Dimri i vetmisë së madhe’». Kur lexon prononcimin e Enver Hoxhës shikon së pari se ai është krejt i ndryshëm nga fjalët që Kadare i ka atribuar Enver Hoxhës, kur ka shkruar për këtë çështje në periudhën paskomuniste. Më poshtë, po jap pro­noncimin e plotë të Enver Hoxhës për romanin në fjalë të Kada­resë. Fjalimi ka 1611 fjalë, të cilat sot për Kadarenë janë 1611 makthe, të cilat ai do të donte t’i zhdukte, po që nuk mund ta bëjë këtë se ato janë të fiksuara në analet e historisë.
“KRITIKAT DHE VËREJTJET PËR NJË VEPËR
LETRARE DUHEN BËRË ME KUJDES E ME VEND
DHE TË JENË SHOQËRORE

Disa mendime rreth romanit të Ismail Kadaresë
«Dimri i vetmisë së madhe»[66]

Shumë nga ju e kanë kënduar romanin e Ismail Kadaresë «Dimri i vetmisë së madhe». Lidhur me këtë, dhe meqenëse kjo çështje u ngrit në mbledhje, unë doja të thosha, së pari, që Partia, me njerëzit dhe me anëtarët e saj, duhet të jetë kurdoherë e matur, në mënyrë që çdo gjë ta gjykojë me kujdes, drejt dhe me objektivitet. Kështu duhet ta gjykoj­më ne edhe shokun Ismail Kadare si shkrimtar, si dhe veprën e tij të kohëve të fundit.
Ismaili është një shkrimtar me talent. Si në veprat e tjera që ka shkruar gjer tani, edhe në romanin «Dimri i vetmisë së madhe» ka anë të mira pozitive. Natyrisht, në to gjen edhe ndonjë pjesë që është për t’u kriti­kuar dhe duhet korrigjuar. Prandaj për të dhënë një gjykim të drejtë dhe objektiv të veprës së tij të fundit, ashtu si kurdoherë, edhe në rastin konkret, duhen parë dy anët e medaljes, në mënyrë që kritika që i bëhet të mos jetë e njëanshme. Duhet gjykuar, pra, si puna dhe vep­rimtaria e shokëve të ndryshëm që në aktivin e tyre kanë anë të mira, por që në punë bëjnë edhe ndonjë gabim. Edhe ne vetë, kur bëjmë ndonjë raport, marrim mendimet e kolektivit, mbi të cilat bëjmë korri­gjimet e nevoj­shme në boshllëqet e punës sonë, ua japim përsëri masave, që bëjnë edhe ato vërejtjet e tyre dhe, së fundi, bëjmë korrigji­met për­fun­dimtare.
Sipas mendimit tim personal, në romanin «Dimri i vetmisë së madhe» trajtohet një çështje e rëndësishme, që përbën pjesën kryesore të veprës. Kjo është lufta që ka bërë dhe bën Partia e Punës e Shqipërisë kundër revizionistëve sovjetikë. Këtë pjesë unë mendoj që autori e ka trajtuar mirë, e ka shkruar në mënyrë artistike, jo me himne e plot mburrje, por në bazë të realitetit. Sigurisht, lufta për të cilën flet në romanin e tij Ismail Kadareja përfaqëson vetëm një periudhë, ajo nuk përfaqëson tërë luftën e gjatë që Partia jonë ka zhvilluar që në fillim kundër revizionizmit modern, siç mund të pretendojnë disa. Duhet pasur parasysh se kundër revizionistëve sovjetikë Partia jonë e Punës e ka filluar luftën që pas vdekjes së Stalinit. Udhëheqja e Partisë sonë ka qenë prej kohësh thikë më thikë me klikën e Hru­shovit. Parullat «Rroftë Bashkimi Sovjetik» dhe të tjera si kjo hidhe­shin nga Partia, por lufta ishte brenda, midis udhëheqjes së Partisë sonë dhe asaj sovjetike, pse ne e denim se çfarë bënin revizionistët sovjetikë. Prandaj, kryesorja, që nuk duhet harruar, në këtë vepër është kjo luftë.
Disa thonë se në roman del si çështje kryesore mosdhënia e bukës, e grurit nga ana e hrushovianëve. Kjo nuk është kështu, gjë që kup­tohet, po të këndohet me kujdes teksti. Ne nuk grindeshim me revi­zionistët vetëm për çështjen e grurit, kundërshtimet i kishim, në radhë të parë, për çështje ideologjike, megjithëqë edhe çështja e grurit, e marrë veças, nuk ishte diçka e vogël. Përkundrazi, në atë kohë edhe ajo ishte një çështje e madhe, se përbën fillimin e bllokadës nga ana e revizionistëve, që përpiqeshin të mposhtnin Partinë tonë dhe për këtë mundoheshin me të gjitha mënyrat të nxitnin popullin shqiptar për t’u ngritur kundër saj. Në atë kohë vetëm për 15 ditë kishim bukë për popu­llin. Këtë gjendje të rëndë e dinte mirë klika e Kremlinit, prandaj ajo u përpoq ta shfrytëzonte me çdo mjet për të arritur qëllimet e saj armi­qësore kundër Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Partisë sonë të Punës. Por, siç dihet, ajo dështoi me turp. Pikërisht këtë çështje Ismaili e ka ngritur në një nivel mjaft të mirë si artist. Në roman ai ngre edhe kundërshtime të tjera që kemi pasur ne me revizionistët sovjetikë, si atë për bazën e Vlorës etj.
Të gjitha këto ngjarje, si shkrimtar, Ismail Kadareja i ka vënë në një ambient të caktuar shoqëror dhe tamam këtu ka vend për t’i bërë atij kritika, pse ka gjëra që nuk shkojnë, që nuk përfaqësojnë si duhet realitetin tonë shqiptar. Është fakt se në atë kohë pati disa elementë tradhtarë që zhvillonin aktivitet kundër Partisë, bile deri edhe anëtarë të Byrosë Politike e të Komi­tetit Qendror, si: Liri Belishova e Maqo Çomo, si dhe Koço Tashko e të tjerë. Thurjen e këtyre intrigave, ç’është e drejta, autori duhej ta ndërtonte në një ambient shumë revolucionar, ku të dilte mirë në dukje vendosmëria dhe fryma e pamposhtur lufta­rake e popullit tonë në atë kohë. Çështja nuk qëndron tek ajo pse u nda apo përse nuk u bashkua Besniku me Zanën, por në roman ka vend që të hiqen disa gjëra të tepërta, siç është, midis të tjerash, edhe ai i një grupi të rinjsh që kryejnë akte vagabondazhi. Prandaj edhe unë men­doj se ka vend për t’i bërë kritikë romanit, po këto duhet të jenë të tilla që të mos e thyejnë autorin, t’i bëhen në mënyrë shoqërore, që ta ndih­mojnë për ta përpunuar më mirë në botimin e ri. S’duhet harruar me këtë rast edhe çështja që midis shkrimtarëve ka disa që kanë smirë, kur ndonjë shoku i tyre bën diçka pozitive, dhe duan ta denigrojnë. Këta e kemi për detyrë t’i korrigjojmë dhe t’i vëmë në rrugë të drejtë.
Me sa e njoh unë, Ismaili, si njeri i zgjuar, i pranon vërejtjet dhe kri­tikat konstruktive që i bëhen dhe kam besim se do t’i realizojë ato.[67]Tani ai është duke bërë stazhin e kandidatit të Partisë në uzinën «Trak­tori», do të reflektojë për të metat e dobësitë e romanit dhe do t’i ndreqë ato. Por të mbahet parasysh se me gjithë të metat që vihen re, këto nuk mund të ulin vlerën pozitive të veprës, e cila e paraqet drejt e realisht luftën e popullit, luftën parimore që ka bërë e bën Partia jonë kundër tradhtarëve të marksizëm-leninizmit e që nuk është diçka e izoluar.
Rëndësi të dorës së parë në roman ka qëndrimi i Partisë sonë në Moskë,[68]që aty është paraqitur mirë dhe, pikërisht, kjo si pjesa më e rëndësishme duhet vënë në dukje në fillim, pastaj mund të flitet për anët e tjera, për dobësitë e veprës. Kjo anë duhet pasur mirë parasysh, pse pikërisht armiqve tanë revizionistë u intereson shumë dhe dëshi­rojnë që ky roman që demaskon qëndrimet e tyre, të hiqet nga qarku­llimi dhe ca më mirë u intereson që të jemi vetë ne ata që të themi nuk bën dhe ta hedhim në ujë. Revizionistët sovjetikë pikërisht këtë duan, pse çështja thelbësore e kësaj vepre është lufta që ka bërë e vazhdon të bëjë Partia jonë kundër tyre, gjë që në roman del mirë. Po ta bëjmë ne këtë, revizionistët sovjetikë nuk do ta vënë aspak theksin në atë që roma­­nin ne e hoqëm nga qarkullimi për arsye se nuk u bashkuan Zana me Besnikun dhe për çështje të tjera si këto, të dorës së dytë e të tretë, por do të flasin me të madhe për atë që atyre u leverdis aq shumë sikur Partia e Punës e Shqipërisë u tërhoq nga lufta kundër hrushovianëve. Prandaj kritika kundër të metave e dobësive që ka ky roman duhet bërë me vend e me mjaft kujdes. Unë jam i bindur se Ismaili, si shkrimtar me talent që është, do t’i ketë parasysh të gjitha kritikat e drejta që i bëhen me qëllim konstruk­tiv dhe do t’i realizojë.
Kritika i bën mirë njeriut. Edhe Ismailit si kujtdo i bëjnë mirë këto kritika. Ai, si shkrimtar me horizont të gjerë kulturor dhe si komunist, do t’i rregullojë të metat e romanit, ndërsa çështja kryesore, që është shumë therëse për revizionistët sovjetikë duhet të mbetet, të mos lëvizë as një çikë, se është goditur mjaft mirë.
Ismaili si shkrimtar ka një stil të veçantë të shkruari. Kështu, për shembull, kur tregon për varrosjen e Nurihanit, ndonjë shkrimtar tjetër mund ta kishte paraqitur ndryshe ngjarjen, kurse ai vë në dukje se, në kohën që të afërmit e përcjellin për ta varrosur këtë bejlereshë, pranë kortezhit funebër kalon makina e ambasadorit sovjetik. Me këtë ai do të thotë se çështja që përfaqëson në vepër ky personazh negativ, amba­sadori revizionist, do të varroset si Nurihani dhe klasa që për­faqëson ajo. Ose me tregimin për vrasjen e një piloti në Moskë, të cilit i vënë një buqetë me lule mbi varr, Ismaili përpiqet të demaskojë hipo­krizinë e revizionistëve, duke lënë me këtë të kuptohet se ata kështu e kanë za­kon të veprojnë, nga një anë të vrasin, pastaj të vënë lule. Ky është stili i të konceptuarit dhe i të shkruarit të tij.
Është, gjithashtu, i shpejtuar dhe jo i drejtë mendimi i disave që thonë se Ismaili nuk është në pozita të shëndosha ideologjike. Po të qe i tillë, ai nuk do të përshkruante drejt luftën e Partisë sonë kundër revi­zionistëve sovjetikë. Duhet pasur pastaj parasysh se nuk ka qenë punë aq e lehtë për të që ta trajtonte në mënyrë të përsosur këtë temë, e para e këtij lloji në letërsinë tonë artistike”.[69]

Kështu u shpreh Enver Hoxha për romanin në fjalë të Ismail Kadare. Ndërhyrja e Enver Hoxhës për ta mbrojtur Kadarenë, që sipas fjalëve të këtij të fundit qe atakuar edhe nga Ministri i Brendshëm (shefi i Sigurimit të Shtetit) provon tezën time se Kadare nuk qe në juridiksionin e Sigurimit të Shtetit të rën­domtë, por të Sigurimit të Shtetit supersekret, Hiper-Sigurimit. Shpjegimi tjetër është që Kadri Hazbiu ka qenë komunist kon­servator dhe Enver Hoxha komunist liberal. Por Enver Hoxha e pushkatoi Kadri Hazbiun si agjent të CIA-s që donte të ndry­shonte sistemin në Shqipëri, sipas modelit perëndimor. Gjitha­shtu, kur lexon këtë prononcim të habit fakti që Enver Hoxha, i cili që prej pesë muajsh pati ngritur një furtunë të terrorit propagandistik kundër njerëzve të artit, që do të kulmohej në Plenumin IV famëkeq të komitetit Qendror të PPSH, pak javë pas prononcimit për romanin e Kadaresë, furtunë që ishte paraprijëse e terrorit masiv fizik mbi njerëzit e artit, e pra ky Enver Hoxhë, tregohet kaq i butë dhe mirëkuptues me Kada­renë. Madje Enver Hoxha e veçon Kadarenë nga pjesa tjetër e shkrimtarëve dhe artistëve të influencuar nga ideologjia bor­gjeze, reaksionare, duke e quajtur ideologjikisht të pastër, një komunist të mirë, që në gjuhën e diktatorit do të thoshte enverist dhe stalinist konseguent. Enver Hoxha e lavdëron Kadarenë për mënyrën si e ka paraqitur luftën e klasave në romanin e vet, brenda në Shqipëri. Madje Enver Hoxha arriti deri atje sa, virtualisht t’i akuzonte shkrimtarët që patën kriti­kuar romanin e Kadaresë se e bënin këtë nga zilia, duke thënë se këta njerëz duhen korrigjuar dhe vënë në rrugë të drejtë, një eufemizën ogurzi ky që në gojën e diktatorit do të thoshte ndëshkim me burg dhe internim.
Enver Hoxha ka prirjen e qartë që t’i relativizojë dhe t’i trivializojë kritikat që i qenë bërë romanit të Kadaresë. Diktatori i quan këto kritika si të një rëndësie të dorës së dytë dhe të tretë, edhe pse thotë se Ismail Kadare ka bërë disa gabime në roman dhe disa kritika janë të bazuara, shton se të gjithë bëjnë gabime, madje sjell si shembull edhe veten, duke thënë se edhe ai, Enver Hoxha, kur bën ndonjë raport, pasi dëgjon vërejtjet e masave bën korrigjime. Në mënyrë kurioze, diktatori shkon më tutje, duke marrë pozitën e psikoanalistit të Kadaresë dhe thotë se kritikat për Kadarenë duhen bërë me kujdes, që ky të mos thyhet shpirtërisht. Sa ironike ngjan kjo në kohën që me qindra e qindra shkrimtarë e artistë qenë duke jetuar në ankth të tmerr­shëm nga rrufetë e akuzave që atëhere po lëshonte «Zeusi» shqiptar mbi ta dhe që shpejt do të artikuloheshin penalisht nga Sigurimi i Shtetit për t’i çuar këta njerëz në burgje, internime, në litar dhe në plumb.
Se përse Enver Hoxha mori publikisht anën e Kadare kjo kuptohet. Romani i Kadare «Dimri i vetmisë së madhe» nuk qe gjë tjetër veç një letrarizim i librit me kujtime të Enver Hoxhës «Hrushovianët», gjë që njerëzit e kuptuan, kur libri i Enver Hoxhës u botua pak vite pas romanit të Kadaresë. Sigurisht që Kadare kishte pasur rastin t’i lexonte shënimet e Enver Hoxhës që para se ato të botoheshin, në kohën kur shkruante romanin e vet, dhe kjo është jashtë çdo dyshimi, pasi në romanin e Kada­resë ka një pafundësi detajesh dhe skenash që përshkruhen në librin e Enver Hoxhës «Hrushovianët» dhe që Kadare s’kishte si t’i dinte në rast se nuk i ka pasur në dorë kujtimet e Enver Hoxhës. Shpjegimi tjetër është që Kadare ka shkruar librin «Hrusho­vianët».
Kur Enver Hoxha e quajti librin e vet «Hrushovianët», titulli nënkuptonte atë që e tregonte përmbajtja e librit, pra se përballë hrushovianëve, që ishin antistalinistë, qëndronin stalinistët, Enver Hoxha dhe të vetët. Romani i Kadare «Dimri i vetmisë së madhe» është një letrarizim i kësaj paradigme politike enve­riane; në romanin e Kadaresë glorifikohen stalinianët enverianë në luftën e tyre kundër hrushovianëve, antistalinistë. Pra, libri i Kadare është një monument letrar monstruoz i Stalinizmit në përgjithësi dhe atij shqiptar në veçanti. I gjithë romani është një krim inte­lektual. Në roman ka falsifikime të përbindshme të së vërtetës historike, që janë bërë për t’i përshkruar ngjarjet ashtu si do të donte Enver Hoxha të kishin ndodhur dhe jo ashtu siç ndodhën, posaçërisht çështja e bazës ushtarako-detare të Vlorës, ku gjërat paraqiten ndryshe nga e vërteta historike se rusët u larguan pas një bargain me amerikanët.


Për «Dimrin e vetmisë së madhe» Kadare pati
edhe kritika të drejta si ajo e Nexhmije Hoxhës

Botimi para pak kohësh në Francë i librit të Shaban Sinanit «Një dosje për Kadarenë» është një veprim i llogaritur për t’i krijuar publikut perëndimor iluzionin se Kadare ka qenë për­ndjekur nga regjimi komunist. Sinani dhe Kadare kërkojnë që të përfitojnë nga fakti se perëndimorët praktikisht nuk kanë kate­gori mendore adekuate për të kuptuar të vërtetën e realitetit komu­nist. Sinani dhe Kadare kalkulojnë që të përfitojnë nga një per­ceptim bardhë e zi, pra se kur dikush kritikohet nga udhë­heqja e lartë komuniste, atëhere ky është a priori persekutim. Por, re­gjimi komunist kishte limitet e veta për shtypjen dhe dhunën dhe kur dikush i kapërcente ato dhe regjimi reagonte ndaj tij, ky nuk mund të quhet persekutim.
Në kohën e sundimit të PPSH-së, e cila qe një parti stalini­ste, ekstremiste e majtë, si krimi më i rrezikshëm shihej gjith­monë ajo që në fjalorin komunist quhej si oportunizëm, ndryshe sek­tarizmi i djathtë, domethënë e përmbledhur në një term: zbu­tja e luftës së klasave. Ata që akuzoheshin si oportunistë dhe sek­­taristë të djathtë shiheshin si agjentë të imperializmit dhe njerëz që i qenë dorëzuar «reaksionit» dhe si të tillë eliminohe­shin pa mëshirë. Kjo ka qenë arsyeja që njerëzit e hierarkisë komuniste, por edhe militantët e thjeshtë për të qenë në rregull me «vijën e partisë» merrnin pozicione ultraekstremiste të majta. Ultra­eks­tre­mis­tët e majtë janë kritikuar, por gjithherë janë trajtuar me indul­gje­ncë, si zelltarë të tepruar. Todi Lubonja në librin e vet «Nën peshën e dhunës» i përshkruan kështu ekstremistët e majtë në PPSH:
«A ishin ortodoksë të vërtetë (fjala ortodoks’ këtu është në sensin e atij që pretendon se ndjek parimet e vërteta - K.M.) a rrufjanë të vërtetë që e kishin ngulur mirë në kokë se në Partinë tonë arkitekt i së cilës është Enver Hoxha nuk e kanë pësuar zakonisht sektarët, për këtë nuk di ç’të them. Por duket e sigurt se këta nuhatnin dhe e ndjenin se ishte më mirë, që kurdoherë të mbanin nga e majta, se kështu ruanin bythët e tyre».[70]
Duke pasur frikë se mos një ditë akuzoheshin për zbutje të luftës së klasave, ose «për të qenë brenda» për çdo të papritur të pakëndshme që mund të ndodhte, ata për të qenë të mbrojtur, përgatisnin dhe i propozonin Enver Hoxhës skema të terrorit masiv, përtej limiteve të enverizmit, të cilat Enver Hoxha i refuzonte, por kjo u jepte mundësi këtyre njerëzve që nesër, kur të jepej alarmi se vendin e kishte mbytur liberalizmi dhe qe zbutur lufta e klasave, siç ndodhi në vitin 1973, këta të mbro­heshin duke thënë se ata e patën bërë të tyren. Natyrisht Enver Hoxha kur donte t’i eliminonte, mund ta përdorte këtë zell të tepruar të tyre për t’i akuzuar si sektaristë të majtë.
Një gjë është e sigurt. Ironikisht, në disa raste Enver Hoxhës, diktatorit stalinist ekstremist, kryegjakatarit të regjimit gjakatar, i duhej të merrte pozitën e një lloj moderatori për të frenuar ultraekstremistët, që kërkonin ta çonin regjimin në polpotizëm, duke përpunuar skemat e terrorit masiv. Ismail Kadare, sajoi një skemë të tillë në versionin e romanit «Dimri i madh» që paraqiti për botim në 1975. Dokumenti nr. 8 për këtë roman në librin e Shaban Sinanit «Një dosje për Kadarenë» dhe dokumenti nr. 17 sipas radhës së dokumenteve në libër, përmban redaktimet që iu bënë dorëshkrimit të variantit të ripunuar të romanit në zyrat e aparatit të Komitetit Qendror në vitin 1976. Ky dokument në librin e Shaban Sinanit sillet me këtë mbishkrim të këtij të fundit: «Fragment i romanit ‘Dimri i madh’, dorëshkrim i auto­rit dërguar shtëpisë botuese ‘Naim Frashëri’ dhe përcjellë nga kjo e fundit sektorit të shtypit të Komitetit Qendror të PPSH për mendim. Përfaqëson pjesën e shtuar të romanit, e cila në përfun­dim, nga autoritetet që e morën në dorë për vlerësim, pjesërisht iu refuzua, sepse ‘nuk kishte karakter përmirësues’. Kjo pjesë e dorëshkrimit nuk i është kthyer shtëpisë botuese, as autorit, sepse është trajtuar si akt administrativ, për shkak të mbishkri­meve dhe anëshkri­meve të shumta të zyrtarëve që e kanë pasur në duar».[71]
 
Një nga paragrafet e romanit për të cilët Shaban Sinani pre­tendon se është censuruar nga Komiteti Qendror është ky:
 
«Epidemia frynte si një erë e ngrohtë mbi gjithë hapësirën e kampit të madh socialist. Revolucioni po zinte dhjamë. Mbi tru­pin dyzetvjeçar të Bashkimit Sovjetik po dilnin thinjat e peran­dorisë. Era që kishte përshkuar Moskën, Varshavën, Pragën, nuk kishte lënë pa prekur sado rrëshqitazi Tiranën. Ndihej prirja e rretheve liberale dhe burokratike për të krijuar kastë. Prej vitesh kishte qenë ngashnjimi i tyre i përbashkët. Në fillim mospër­fillje për klasën punëtore, pas së cilës nuk pritej veçsekasaphana. Nga një pikëpamje kjo ishte vepër e thjeshtë: ata donin t’i merr­nin klasës punëtore atë që ia kishin marrë me shekuj të gjithë sundimtarët: mbivlerën. Pra, e gjithë kjo s’ishte veçse vazhdim i epopesë së përgjak­shme të mbivlerës. Përpara saj zbeheshin të gjitha sagat dhe iliadat: Mbivleriada! Me sa duket, mbasi të kalonte nëpër qindra barrikada lufte, fati i kishte ruajtur klasës punëtore edhe një luftë të fundit të tmerr­shme: luftën me buro­kracinë e vet. Lufta e klasës punëtore me burokracinë në socia­lizëm ishte tragjike, përderisa në këtë periudhë klasa punëtore kishte mundësi të pësonte disfatë».[72]
Në librin e Shaban Sinanit për këtë paragraf thuhet se Nexh­mije Hoxha ka bërë vërejtje për fjalën «liberale». Paragrafi i mësipërm është dhënë pothuajse i plotë në versionin e ribotuar të romanit[73]  me ndryshimin kryesor që tek fjalia «Ndihej prirja e rretheve liberale dhe burokratike për të krijuar kastë» është hequr fjala «liberale». Ky nuk është një censurim për të cilin Kadare duhet të krenohet sepse këtu ai i akuzon «liberalët», fjalë që në terminologjinë e regjimit komunist kishte kuptimin «properëndimor» sikur kanë bërë aleancë me burokracinë për të çuar klasën punëtore në kasaphanë (pra për të bërë terror masiv ndaj saj) dhe se sikur duan që të nxjerrin fitime duke e shfrytë­zuar me dhunë e me gjak klasën punëtore. Dhe kur Kadare e bën këtë akuzë, ai nuk e shpjegon se si liberalët ngashnjeheshin për aleancë me burokratët, kur liberalët i urrenin burokratët.
Shikoni pra sesi shprehet Ismail Kadare. Ai në romanin e vet me vetëdije i pati akuzuar liberalët sikur duan të formojnë kastë në aleancë me burokratët dhe sikur së bashku duan të nënsh­trojnë me gjak klasën punëtore që t’i marrin me dhunë e gjak klasës punëtore mbivlerën! Në fjalorin komunist këto qenë ter­mat që përdoreshin për të akuzuar kapitalistët. Dhe Kadare e dinte mirë se njerëzit që akuzoheshin se donin të rrëmbenin me dhunë mbivlerën klasës punëtore, duke i derdhur gjakun, regji­mi komunist i quante armiq dhe i dënonte me vdekje. Logjika është e thjeshtë: Atij që kërkon të derdhë gjak, i duhet derdhur gjaku. Kjo qe logjika me të cilën justifikohej terrori i kuq i bazuar në luftën e klasave. Shikoni se çfarë cinizmi dhe sadizmi të skaj­shëm ka pasur në mendimin e këtij njeriu: Liberal = krimi­nel, gjakësor! Këtu Kadare tregohet antiliberal dhe antiintelek­tual sa edhe oficeri më i egër i Sigurimit të Shtetit. Koncepti liberal = kriminel është një koncept ultrastalinist, madje me thënë të drejtën është një koncept metastalinist (tejstalinist), pasi tek ky koncept nuk arriti as vetë Stalini dhe as Enver Hoxha.
Këtij koncepti iu afrua vetëm Pol Poti, i cili në vitin 1975 kur Kadare tashmë pati çuar për botim romanin, pati ardhë në pushtet në Kamboxhia, ku brenda katër viteve ushtroi një genocid të paparë, duke zhdukur një të katërtën e popullsisë dhe pjesën më të madhe të inteligjencës. Ismail Kadare pra kishte paraqitur në romanin e vet një koncept polpotist dhe fakti që ky koncept u kritikua dhe u censurua nga regjimi enverist nuk nderon Kadarenë, por paradoksalisht nderon...Enver Hoxhën, pasi kriticizmi i regjimit për këtë koncept të Kadaresë dhe vetë këtë të fundit shpreh diferencën midis polpotizmit (në anën e të cilit në këtë rast është Kadare) dhe enverizmit. Dhe dallimi mes polpotizmit dhe enverizmit është ai midis më të keqes dhe më pak të keqes.
Dhe pasi i ka shpallur liberalët dhe burokratët si kriminelë gjakësorë Kadare, logjikisht, në paragrafin e mësipërm bën thirrje që klasa punëtore të ngrihet në luftë të armatosur dhe t’i asgjësojë liberalët të cilët i ka shpallur si aleatë të burokratëve: «Me sa dukej, mbasi të kalonte nëpër qindra barrikada lufte, fati i kishte ruajtur klasës punëtore edhe një luftë të fundit të tmerr­shme: luftën me burokracinë e vet. Lufta e klasës punëtore me burokracinë në socializëm ishte tragjike, përderisa në këtë peri­udhë klasa punëtore kishte mundësi të pësonte disfatë».[74]
Sipas tablosë makabre që krijon Kadare, burokratët dhe alea­tët e tyre liberalët duhen asgjësuar fizikisht, pasi ata patën kër­kuar të derdhin gjakun e punëtorëve. Dhe ky qe një dëm që kërkonte shpagim gjaku. Derisa regjimi enverist e luftonte libe­ralizmin me burgosje, internime, dërgim në prodhim të intelek­tualëve, prerje të flokëve dhe çjerrje të pantallonave e fundeve të të rinjve e të rejave, ndërsa burokratizmin e luftonte me anë të të ashtuquajturit «qarkullim», duke i çuar ata që etiketohe­shin si buro­kratë në prodhim, në ndërmarrje, ose në fshat, Kadare kërkonte që kjo të bëhej duke i asgjësuar fizikisht libe­ralët dhe burokratët.
Kjo ide e Kadaresë bëhej edhe më serioze dhe e rrezikshme për intelektualët shqiptarë me bindje liberale të asaj kohe, për faktin se Kadare e shkroi këtë gjë, në kohën kur vazhdonte fu­shata kundër liberalizmit e nisur që në vitin 1973, viktimë e parëe së cilës pati qenë miku i Kadaresë, Todi Lubonja. Kadare, me këtë ide i ofronte Enver Hoxhës një skemë shumë diabolike terrori masiv. Ismail Kadare e dinte se ky koncept i tij qe një apel për terror masiv në Shqipëri, në një shkallë të tillë që, duke konsideruar përmasat e vendeve përkatëse, as Stalini nuk e kishte kryer në Bashkimin Sovjetik. Regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë 47 viteve (1944-1991) shkaktoi vdekjen e 8000 kundërshtarëve politikë, prej të cilëve 6000 të ekzekutuar, 1000 të vrarë në rezistencën antikomuniste të pas vitit 1944 dhe 1000 të vdekur në burgje nga keqtrajtimet. Në rast se do të zbatohej formula e Kadaresë (liberal dhe burokrat = kriminel) atëhere duhej që regjimi komunist shqiptar të ekzekutonte dhjetëra mijë vetë të cilëve u vihej etiketa liberal ose burokrat, çka natyrisht që do të shoqërohej dhe me internimin e familjeve të tyre. Kështuqë genocidi i regjimit të Enver Hoxhës do t’i afrohej atij të Pol Potit dhe Shqipëria e viteve ‘70 dhe e viteve në vazhdim duhet që të ecte në genocid pari passu me Kamboxhian polpotiane, duke u bërë Kamboxhia në mes të Europës.
 
Nëse do të zbatohej formula e Kadaresë, atëhere numri i të ekzekutuarve (të vrarëve) nga regjimi komunist do të qe shumë herë më i lartë dhe numri i të internuarve, që gjatë 47 viteve arriti në 60 mijë vetë, do të qe gjithashtu shumë herë më i lartë. Ajo çka është edhe më mizore, Kadare e shtoi konceptin e alean­cës kriminale të liberalëve me burokratët në versionin që çoi në botim, pasi në versionin e romanit të botuar në vitin 1973, ai ua pati atribuar vetëm burokratëve qëllimin e krijimit të një kaste kriminale. Ja se si shkruan Kadare në romanin «Dimri i vetmisë së madhe»: «Ndihej prirja e rretheve burokratike për të krijuar kastë. Kastë, tha ai me vete. Ngashnjimi i tyre i për­bashkët».[75]
 
Për të gjitha këto arsye paragrafi i censuruar i romanit të Kadaresë, ku kriminalizohen liberalët dhe intelektualët duhet vënë në pavionin e genocidit komunist në muze, si një traktat-apel për genocid masiv. Ja pra se ç’qe maska që Kadare donte t’i vinte Enver Hoxhës, maska e Pol Potit. Dhe për fat të mirë kjo maskë ia vrau fytyrën Enver Hoxhës.
 
Prandaj, «censurimi» i këtij paragrafi është një gjë e drejtë. Me këtë paragraf Kadare po i ofronte një skemë gjaksore për terror masiv Sigurimit të Shtetit. Për fat të mirë kjo skemë e përbindshme e Kadaresë nuk u pranua.
Ismail Kadare, në librin «Kohë barbare», që është një intervistë që ai i ka dhënë gazetarit Denis Fernandez Recatala, zhvillon këtë dialog. Denis Fernandes Recatala i thotë: «Disa shkrimtarë e kanë mbështetur regjimin...»[76]
Ismail Kadare i përgjigjet kështu: «Nuk e mohoj. Ata kanë përhapur sloganët e Partisë. Kanë bashkëpunuar në fusha­tat kun­dër liberalëve, Perëndimit dhe dekadencës kapitaliste. Madje kanë përgëzuar krimet e kryera nga shteti... Ata u sollën pa disku­tim si qen roje të regjimit. Por askush nuk i detyroi ta bënin këtë gjë».[77]
E pra, këtu na del se vetë Kadare ka bashkëpunuar në fusha­tat kundër liberalëve dhe është censuruar nga regjimi komunist vetëm për faktin se Kadare i propozonte regjimit enverian që të kalonte në polpotizëm, gjë që ky nuk e pranonte. Në këtë rast regjimi e refuzoi Kadarenë që iu ofrua në rolin e «qenit roje të regjimit» sepse ky qen roje këtë herë u tërbua krejt.
Mbetet pyetja nëse Kadare, kur i bënte këto gjëra ka qenë, po të shprehem në termat e Todi Lubonjës, komunist ortodoks apo rrufjan. Në 1976, kur Shqipëria dridhej nga terrori enver­ian, Ismail Kadare botoi librin, përmbledhjen me poezi «Koha», ku është dhe poezia monstruoze dhe cinike «Terrori i bardhë», që botohet me shënimin e autorit të vënë poshtë titullit «klasave të përmbysura». Në këtë poezi thuhet:

«Njerëzit pavarësisht nga klasat, buzëqeshin,
Dhe duke buzëqeshur, unë shpesh ju kam parë.
Por veç kur kam shkruar diçka që veçanërisht ju ka prekur,
Mes zmaltit të dhëmbëve tuaj ka ndritur terrori i bardhë».[78]

Kështu Kadare është i vetëdijshëm se ai urrehet nga viktimat e terrorit të kuq, të cilat ai i kishte prekur rëndë me shkrimet e veta, ai e di se urrehet nga nënat e djemve që janë shqyer nga qentë e kufirit të cilëve qen Kadare u ka bërë himne, Kadare e di se urrehet nga ata dhe familjet e atyre që regjimi i quante burokratë dhe liberalë dhe që Kadare i përçmon si të deklasuar, komplotistë dhe kërkon që të eliminohen. Pra, Kadare, nuk kishte dilema, ai e pati zgjedhur anën e vet, duke hyrë në avan­guardën e terrorizmit të kuq.
Në një intervistë që Kadare i ka dhënë Denis Fernandez Recatala, ndër të tjera thotë, duke cituar një studiues francez: «A nuk shprehej pikërisht Lautremont-i që ‘Gjithë ujët e detit nuk do të mjaftonte për të fshirë një njollë gjaku intelektual’».[79]
Kjo është e vërtetë, sepse në krimet intelektuale nuk derdhet gjak autentik, por gjak virtual, «gjak» idesh, mendimi. Por, kur Kadare ua thotë këto gjëra perëndimorëve, ai nuk kërkon ndjesë për «gjakun» intelektual që ka derdhur me librat e veta. Dhe ideja e Kadare, që e analizova në këtë shkrim, është pikë­risht një krim intelektual, i cili nuk mund të shlyhet.
Gjithsesi, Shaban Sinani, duke përfshirë në librin e vet për Kadarenë edhe kritikën e Nexhmije Hoxhës për paragrafin në fjalë, i ka luajtur një reng të keq Kadaresë, pasi këtë gjë e ka bërë për t’i shërbyer Nexhmije Hoxhës ndaj së cilës ka shumë detyrime dhe të cilën e ndihmon për të sistemuar librat me kuj­time, pasi mosha e shtyrë e ka bërë zonjën Hoxha të mos e ketë energjinë e dikurshme.


A do të shkruajë Ismail Kadare «Dimrin e madh 2»
për betejën e re për Vlorën kundër amerikanëve dhe AMBO

E vërteta është se njeriu të cilit shqiptarët dhe popujt e Mes­dheut duhet t’i jenë mirënjohës për largimin e flotës sovjetike nga Vlora, është Presidenti i SHBA-ve Kennedy. Për këtë arsye Kennedy e meriton që t’i ngrihet një momument në qendër të Vlo­­rës. Në këto kohë kur Vlora po përfolet si objekt i një kon­flikti gjeopolitik global midis forcave globale dhe rajonale, posaçërisht në gjeopolitikën e naftës, është koha më e mirë që t’i paguhen disa borxhe të prapambetura historisë, gjë që do të ketë vlerë të dyfishtë, si shprehje mirënjohjeje dhe simbolikë e orientimit të shqiptarëve. Një nga borxhet e nderit që shqiptarët i kanë historisë, është ai ndaj SHBA-ve dhe posaçërisht Presi­dentit John Kennedy në lidhje me largimin e forcave ushtarake sovjetike nga Vlora në 1961. Simbolet e këtij lloji, sikur janë monumentet, kanë rëndësi të posaçme, të mirë ose të keqe, për të mbajtur gjallë kujtesën historike. Jo më kot Ismail Kadare ankohet për ekzistencën e monumentit të një pashe turk në qen­dër të Tiranës, si një simbol që gjeneron të keqen historike tek shqiptarët.
Ka një tendencë sot për ta paraqitur angazhimin ushtarak amerikan në hapësirën shqiptare dhe posaçërisht në Republikën e Shqipërisë, si një rrezik për vendet e tjera të Ballkanit dhe për Europën, të barabartë me okupimin osman që e shndërroi Shqi­përinë në një plasdarm nga i cili ushtritë osmane rrezikonin Europën. Ismail Kadare është angazhuar pikërisht në këtë linjë antiamerikane dhe antishqiptare. Në një ese të shkurtër, me titull «Unaza në kthetrat e shkabës», të përgatitur për një forum të Këshillit të Europës, në vitin 2001, Ismail Kadare shkruan:
«Idenë e vjetër otomane për t’i përdorur brigjet shqiptare kun­dër Evropës e trashëguan sovjetikët, madje, pikërisht në bazën e vjetër ushtarake turke të Vlorës (që dikur kishte qenë romake), u bënë gati të vendosnin raketat e tyre me mbushje bërthamore. Sot, me sa duket, Perëndimi do të bëjë të njëjtën gjë».[80]
Këtu mendimi i Kadaresë fillon e turbullohet shumë, duke u bërë si ai i orakujve antikë. Si do t’i përdorë Perëndimi brigjet shqiptare kundër Europës, kur Europa është vetë pjesë e Perë­ndimit? Për cilin «Perëndim» e ka fjalën këtu Ismail Kadare? Është e qartë se këtu «Perëndimi» është një eufemizëm për SHBA-të, pasi ishin dhe janë SHBA-të ato që në periudhën paskomuniste po tregojnë vullnetin e tyre për të pasur një prani ushtarake në hapësirën shqiptare në dy anët e kufirit. Me fjalët e mësipërme, Kadare përcjell preokupimin europian, posaçërisht të Francës, se prania ushtarake e SHBA-ve në Ballkan, posaçë­risht në Shqipëri, përbën një rrezik për interesat e fuqive rajo­nale - mike të Francës, Serbisë dhe Greqisë, që duan të domi­nojnë në rajon.
Këto fjalë të Ismail Kadare hedhin dritë mbi background-in gjeopolitik të atyre lëvizjeve të tashme që duan ta futin Vlorën në aventura të dyshimta gjeopolitike, qartësisht antiamerikane, për­veçse antishqiptare. Vlora është një pol magnetik i politikës shqip­tare dhe pika prej nga ku historikisht është trazuar shumë herë politika dhe shteti shqiptar. Sot Vlora ka rëndësi në gjeo­politikën ndërkombëtare të naftës si porti i mbërritjes së naftësjellësit AMBO. Që tash në Vlorë kanë filluar tentativat për të krijuar një lloj guerriljeje civile me kamuflim të lëvizjes ambientaliste kundër projektit AMBO dhe me sa duket pas kësaj lëvizjeje qëndrojnë dy forca, Greqia dhe klani i Edi Ramës në shoqërinë civile. Në të ashtuquajturën lëvizje për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës «shkël­qejnë» dy njerëz të njohur si miq të Edi Ramës, Ardian Klosi dhe Erion Veliaj dhe pas tyre është Ismail Kadare, kryetar i bordit të Lëvizjes «Mjaft». Lëvizja «Mjaft» e Erion Veliajt është anga­zhuar drejtpërdrejt në të ashtuquajturën kauzë ambientaliste për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës dhe në krye të lëvizjes «Mjaft» si President nderi dhe kryetar i bordit është Ismail Kadare. Kështu Ismail Kadare, është rikthyer praktikisht në anën e Rusisë, për të cilën ka nostalgji rinore, që duken në poezitë dhe librat e tij.
Lëvizja për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës pretendon se ka mbledhur 14 mijë firma nga qytetarët e Vlorës kundër ndërtimit të naftësjellësit dhe nëse kjo është e vërtetë, kjo gjë mund të jetë bërë vetëm nga ajo pjesë e strukturave lokale të PS-së që mbësh­­tesin Edi Ramën. Pra, dikush kërkon ta shndërrojë Vlorën në Rambo kundër AMBO dhe kundër SHBA dhe ky dikush në poli­­tikën shqiptare ka fytyrën e Edi Ramës, pas të cilit qën­drojnë qen­dra ndërkombëtare antiamerikane, duke filluar që nga Athina dhe Beogradi e deri në Paris e në Moskë. Dhe mentori i Edi Ramës është Ismail Kadare. Pasi Edi Rama i dorëzoi çelësat e Tiranës këngëtarit serb Goran Bregoviq, mikut të çetnikëve, ai sigurisht që nuk e ka për gjë t’ia dorëzojë çelsat e Vlorës miqve të Beogradit. Tash, Kadare, mund të frymëzohet për të shkruar një roman se si Erion Veliaj, Ardian Klosi dhe Edi Rama e mbroj­tën Vlorën nga anglo-amerikanët, çka do të jetë më e vërtetë se kur shkroi që Enver Hoxha e mbrojti Vlorën nga sovjetikët. E ashtuquajtura Aleanca për mbrojtjen e gjirit të Vlorës, krerë të së cilës praktikisht janë Ismail Kadare, Edi Rama, Erion Veliaj, Ardian Klosi, është një bijë e fantazmës së Traktatit të Varsha­vës e shartuar në gjeopolitikën ortodokse sllavo-greke dhe atë franko-gjermane antiamerikane.
Në të ardhmen, me rastin e një krize që do të krijohet pasi serbët të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës, kur Kosova të bëhet e pavarur, çka serbët e kanë paralajmëruar, Greqia do të tentojë që këtë precedent ta eksploatojë (shfrytëzojë) për të riaktivizuar skemat e vjetra të Vorio-Epirit, si në 1914, si në 1997. Dhe Greqia do të përpiqet që qendrën e aksionit diversio­nist politik kundër shtetit shqiptar dhe politikës amerikane në rajon ta krijojë në Vlorë. Në 1997, në prag të luftës në Kosovë, riaktivizimi i skemave vorio-epirote në Vlorë, nën simbolin e tre gishtave, u kamuflua me falimentimin e firmave piramidale financiare, që krijoi kauzën «duam paratë tona!». Sot gjendet një kauzë ambientaliste, e ashtuquajtura Lëvizje për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Por, në esencë kemi të bëjmë me ekspedientë gjeopolitikë.
Ardian Klosi, që hiqet sikur tallet me fjalën «gjeopolitikë», siç bënte para dy vjetësh në një debat me Shpëtim Nazarkon në «Zonë e lirë» të Arian Çanit në TV Klan, në fakt është krejt i involvuar në një skemë gjeopolitike si factotum i gjeopolitikës ruso-greke. Kjo e bën studiuesin Klosi të thotë gjëra për të cilat edhe një nxënës i tetëvjeçares do të merrte notën katër në gjeografi po t’i thoshte. Kështu Klosi tha se naftësjellësi do të dalë në portin grek të Aleksandropullosit dhe jo në Vlorë për shkak se deti Egje, ku gjendet ky port është i hapur, çka lejon kalimin lirisht të anijeve të mëdha petroliere, ndërsa Adriatiku është det i mbyllur dhe nuk e lejon këtë. E kundërta është e vërtetë. Mjaft që t’i hedhësh një sy hartës për të parë se Egjeu është një det i mbushur plot me ishuj të vegjël, si asnjë det tjetër në botë, si dhe një det me ujëra të cekta, çka e pengon kalimin e anijeve dhe rrezikon përplasjen dhe ngecjen e tyre. Ndërsa Adria­tiku është shumë më i hapur se Egjeu dhe nga Vlora dilet direkt në detin shumë më të hapur Jon, çka do të thotë prak­tikisht dalje në Mesdhe. Ardian Klosi i thotë këto gjëra, se kështu ia do gjeopolitika të flasë. Por, ata që e futin Vlorën në skema të tilla gjeopolitike kanë po atë përgjegjësi si ata që e futën Gjermaninë në luftëra, në saje të të cilave sot Kënigsbergu i Emanuel Kantit, i pastruar nga gjermanët, quhet Kaliningrad, gjë të cilën e di mirëArdian Klosi. Është në radhë të parë për­gje­gjësia e vlon­jatëve që të mos lejojnë të përdoren si puppet strings (kukulla të koma­nduara me fije) në zbatimin e skemave të tilla gjeopolitike. Historia nuk fal dhe ka treguar se edhe pse me vonesë, ndësh­kimi një ditë vjen shumë i rëndë.
Në Vlorë duhej të inicohej një lëvizje qytetare, jo për mbrojtjen e Vlorës nga «mullinjtë e erës», por për ngritjen e monumentit të Presidentit Kenedi në Vlorë, si një shprehje e mirënjohjes historike nacionale shqiptare. Sigurisht që këtë lëvizje nuk do ta iniconin as Kadare, as Klosi, as Veliaj, pasi ata kanë hyrë në linjë tjetër. Ismail Kadare, Ardian Klosi, Erion Veliaj janë futur me vetëdije në këtë linjë të dyshimtë ambientalisto-gjeopolitike dhe të gjithë së bashku kërkojnë të përgatisin «Dim­rine madh», kur do ta hedhin AMBO-n në det. Ndoshta Ismail Kadare do të frymëzohet për të shkruar një roman për këtë ngjarje. Gjithsesi, në pritje të këtij romani të Kadaresë dhe rrethanat kur me Vlorën po luhen lojëra të tilla, ku është i angazhuar deri edhe Ismail Kadare, është mirë që të qartësohen të vërtetat e ngjarjeve historike me të cilat tentohej që të mani­pulohej për të krijuar mite të rreme, sikur është largimi i rusëve nga Vlora, për ndërtimin e të cilave mite më së shumti ka kontribuar edhe Ismail Kadare.


[1] Ismail Kadare: «Dimri i vet­misë së madhe», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, f. 5 dhe Ismail Kadare: «Dimri i madh», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, f. 5.
[2] Ismail Kadare: «Dimri i madh», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, f. 609.

[3] Enver Hoxha: Raport në Kongresin IV të PPSH, «Naim Frashëri», Tiranë, 1961, fq. 26-27.
[4] Ismail Kadare, Denis Fernandez Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë, 2005, f. 49.

[5] Ismail Kadare: «Dimri i madh», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, f. 170.
[6] Enver Hoxha: VEPRA, vol. 22, «8 nëntori», Tiranë, 1976, f. 127.

[7] Ismail Kadare: «Dimri i madh», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, f. 589.
[8] Po aty, f. 590.

[9] Jorgo Bulo, Parathënie, kolana e veprave të Ismail Kadaresë. Cituar sipas: Ismail Kadare, VEPRA, vol. 1, «Naim Frashëri», Tiranë, 1981, fq. 22-23.

[10] Ismail Kadare: VEPRA, vol. 12, «Naim Frashëri», Tiranë, 1981, f. 320.

[11] Ismail Kadare: VEPRA, vol. 2, «Naim Frashëri», Tiranë, 1981, f. 209.
[12] Po aty, f. 222.

[13] Po aty, f. 218.
[14] Ismail Kadare: «Kështjella», tek VEPRA, vol. 4, «Naim Fra­shëri», Tiranë, 1981, f. 5.
[15] Enver Hoxha: VEPRA, vol. 22, «8 nëntori», Tiranë, 1976, f. 127.

[16] Ismail Kadare: «Kështjella», tek VEPRA, vol. 4, «Naim Frashëri», Tiranë, 1981, f. 22.
[17] Revista «Nëntori», nr. 4, Tiranë, 1971, f. 25.

[18] Po aty: fq. 25-27.

[19] Ismail Kadare: «Dimri i madh», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, fq. 434-435.

[20] Po aty, f. 445.

[21] Ismail Kadare: «Dialog me Alen Bosquet», «Onufri», Tiranë, 2002, f. 37.

[22] Arkivi Qendror i PPSH, fondi 14, lista 1, dosja 24.
[23] Po aty.

[24] Arkivi Qendror i PPSH, fondi 14, lista 1, dosja 20.
[25] Po aty.
[26] Po aty.

[27] Po aty.

[28] Ismail Kadare: «Dimri i vetmisë së madhe», «Naim Frashëri», Tiranë, 1973, f. 148.
[29] Enver Hoxha: VEPRA, vol. 19, Instituti i Studimeve Marksiste-Lenini­ste, Tiranë, 1975, f. 379.

[30] Ismail Kadare, Denis Fernàndez Recatalà: «Katër përkthyesit», «Onu­fri», Tiranë, 2004, fq. 181-182.

[31] Po aty, f. 67.
[32] Ismail Kadare: «Dimri i madh», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, f. 3.
[33] Shih: Ismail Kadare, «Dimri i madh», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, f. 174.

[34] Enver Hoxha: «Hrushovianët», «8 nëntori», Tiranë, 1980, f. 368.
[35] Arkivi Qendror i PPSH, fondi 14, lista 1, dosja 20.

[36] Arkivi Qendror i PPSH, fondi 10, dosja 38.

[37] Enver Hoxha: «Hrushovianët», «8 nëntori», Tiranë, 1980, fq. 435-436.

[38] Ismail Kadare: «Dimri i madh», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, fq. 470-471.
[39] Po aty, f. 507
[40] Po aty, fq. 506-507.

[41] Po aty, f. 3.
[42] Shih: Ismail Kadare, «Dimri i madh», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, f. 174.

[43] Enver Hoxha: Raport në Kongresin IV të PPSH, «Naim Frashëri», Tiranë, 1961, fq. 26-27.
[44] Enver Hoxha: «Superfuqitë», «8 nëntori», Tiranë, 1986, f. 45.
[45] Ismail Kadare: «Dimri i madh», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, f. 434.

[46] «Dokumente kryesore të PPSH», vol. IV, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë, 1970, f. 51.

[47] «Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë», «8 nëntori», Instituti i Studi­meve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë, 1981, fq. 349-350.
[48] «Dokumente kryesore të PPSH», vol. IV, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë, 1970, f. 45.

[49] Po aty, f. 133.
[50] Enver Hoxha: «Superfuqitë», «8 nëntori», Tiranë, 1986, f. 53.

[51] Enver Hoxha: Raport në Kongresin IV të PPSH, «Naim Frashëri», Tiranë, 1961, f. 34.
[52] Arkivi Qendror i PPSH, fondi 14, lista 15, dosja 7.

[53] Faqe 64-65.

[54] Enver Hoxha: «Hrushovianët», «8 nëntori», Tiranë, 1980, f. 357.
[55] Enver Hoxha: «Dy popuj miq», «8 nëntori», Tiranë, 1985, f. 194.
[56] Shih: Ismail Kadare, «Dimri i madh», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, fq. 173-174.

[57] Ismail Kadare, Denis Fernandez Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë, 2005, fq. 69-70.
[58] Shaban Sinani: «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë, 2005, fq. 201-202.
[59] Po aty, f. 202.

[60] Po aty, f. 206.
[61] Po aty, f. 207.
[62] Po aty, f. 202.
[63] Po aty, f. 207.

[64] Po aty, fq. 206-207.

[65] Ismail Kadare, Denis Fernandez Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë, 2005, f. 72.

[66] Në origjinal është shënimi: Këto mendime shoku Enver Hoxha i shfaqi gjatë pushimit midis sean­cave të mbledhjes së byrosë së Komitetit të Partisë të Rrethit të Elbasanit. Një nga diskutantët në mbledhje preku në diskutimin e vet edhe çështjen e vërej­tjeve e të kritikave që po i bëheshin nga masat dhe në shtyp këtij romani.

[67] Në origjinal është shënimi: Duke reflektuar në vërejtjet dhe kritikat që bënë masat në takimet e drejt­përdrejta dhe bisedat e autorit me to, nëpërmjet letrave dhe shty­pit, Ismail Kada­reja e përpunoi romanin «Dimri i vetmisë së madhe», i cili i përmirësuar, u botua për së dyti në vitin 1977 me titullin «Dimri i Madh».
[68] Në origjinal është edhe ky shënim: Është fjala për në Mbledhjen e 81 partive komuniste e punëtore të botës, që u mbajt në Moskë nga data 10 nëntor-1 dhjetor 1960.

[69] Enver Hoxha: VEPRA, vol. 51, «8 nëntori», Tiranë, 1986, fq. 71-77.

[70] Todi Lubonja: «Nën peshën e dhunës», «Progresi», Tiranë, 1993, f. 143.

[71] Sh. Sinani: «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë, 2005, f. 252.
[72] Po aty, fq. 261-262.

[73] Ismail Kadare: «Dimri i madh», «Naim Frashëri», Tiranë, 1977, fq. 428-429.

[74] Po aty, f. 429.

[75] Ismail Kadare: «Dimri i vetmisë së madhe», «Naim Frashëri», Tiranë, 1973, f. 358.

[76] Ismail Kadare & Denis Fernandes Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë, 2004, f. 18.
[77] Po aty.
[78] Ismail Kadare: VEPRA, vol. 1, «Naim Frashëri», Tiranë, 1981, f. 331.

[79] Ismail Kadare & Denis Fernandes Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë, 2004, f. 210.

[80] Ismail Kadare: «Unaza në kthetra», «Onufri», Tiranë, 2001, f. 67.