«GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR» APOLOGJI E PARADIGMËS IZOLACIONISTE ANTIPERËNDIMORE TË ENVER HOXHËS






«Gjenerali i ushtrisë së vdekur» është romani që e bëri Kada­renë të pëlqyeshëm për regjimin komunist dhe i pari roman i Kadaresë që regjimi investoi për ta botuar në Perëndim. Romani u botua në vitin 1963, më pak se dy vite pasi u shpall prishja e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe kur shumë njerëz në Shqipëri shpresonin ende se, pavarësisht deklarimeve të Enver Hoxhës, regjimi do të detyrohej që të orientohej nga Perëndimi për shkak të krizës ekonomike. Pra, që t’i jepej fund çdo ilu­zioni për afrimin me Perëndimin pas prishjes me Bashkimin Sovjetik. 27 vjeçari Kadare, në vitin 1963, dy vite pas prishjes me Bash­kimin Sovjetik shkroi një roman ku personazhet krye­sore qenë dy të huaj nga një vend perëndimor, aq më tepër që këta të dy qenë një gjeneral dhe një prift, pra, në sytë e regjimit komunist, përfaqësuesit e dy shtyllave të një vendi kapitalist, të ushtrisë dhe të fesë. Në roman, gjenerali dhe prifti paraqiten si dy racistë të skajshëm antishqiptarë. Është e tepërt të thuhej që kjo bëhej me porosi. Synimi ishte që shqiptarëve t’u jepej mesa­zhi se perëndimorët na urrejnë dhe duan që të na zhdukin, prandaj nuk ka kuptim që të bëhet fjalë për afrim me Perën­dimin.
Më pas, në periudhën paskomuniste, Ismail Kadare, në një intervistë të gjatë që i jep Denis Fernandez Recatala, dhe që përbën librin «Kohë barbare», thotë se romani «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» u kritikua ashpër në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe qe një fat që u botua: «Për ‘Gjeneralin e ush­trisë së vdekur’ kritikat më të ashpra bëheshin për faktin se nuk përmendja në roman partinë komuniste. Dhe kjo është e vërtetë. Nuk tregoja urrejtje ndaj gjeneralit italian, përkundrazi, për të ndjeja mëshirë».[1]
Por, synimi i këtij romani qe krejt tjetër. Ndryshe nga ç’thotë Ismail Kadare, regjimi nuk donte thjesht që ky roman të për­cillte urrejtjen e shqiptarëve për të huajt perëndimorë, të konsi­deruar armiq, por urrejtjen e të huajve perëndimorë për shqip­tarët.
Në romanin e Kadaresë zhvillohet ky dialog midis gjeneralit dhe priftit:
«- Ju i urreni shqiptarët? - pyeti ai papritur.
Prifti buzëqeshi hidhur.
- Jo. Pse?
Gjenerali i afroi fytyrën te veshi. Prifti bëri një shenjë të lehtë neverie kur ndjeu erën e alkoolit.
- Si pse? - ja bëri me zë të ulët gjenerali sikur të thoshte një të fshehtë - Ne të dy i urrejmë ata, por tani për tani nuk e themi dot se kështu është puna».[2]
Pra, Perëndimi na urren, u thotë Kadare shqiptarëve, edhe sikur të mos duam nuk kemi alternativë tjetër veç izolimit. Një tjetër dialog midis priftit dhe gjeneralit është ky:
«Pas grindjes me Bashkimin Sovjetik, ata kanë mbetur në Evropë krejt të vetmuar.
- Si gjithmonë».[3]
Pra, këtu ideja izolacioniste antiperëndimore e përpunuar nga Enver Hoxha dhe e letrarizuar nga Kadare jepet me gojën e një të huaji perëndimor, për ta bërë më të besueshme për shqiptarët. Në një tjetër dialog midis tyre, prifti dhe gjenerali i për­shkruajnë shqiptarët si një popull të egër, primitivë, me një kompleks dhune që shkon deri në vetëshkatërrim:
«-...Jua kam thënë dhe njëherë, pa luftë dhe pa armë ky popull do të vyshkej dhe do t’i thaheshin rrënjët dalëngadalë dhe si rrjedhim do të zhdukej.
- Kurse me armë dhe me luftë do të ripërtërihej?
- Ata kujtojnë kështu, kurse në fakt nga arma ata do të zhduken akoma më shpejt.
- Sipas jush, lufta është për ta një farë gjimnastike mëngjesi, që u çmpin gjymtyrët dhe u gjallëron frymëmarrjen.
- Përkohësisht - tha prifti.
- Domethënë me armë ose pa armë ky popull është i destinuar të zhduket.
- Me sa duket - tha prifti. - Prirjen e lashtë të shqiptarëve drejt luftës qeveria e tyre e sotme e ka ngritur në parim, në politikën e saj, dhe është një fat për fqinjët që ata janë vetëm dy milionë».[4]
Në një tjetër dialog midis tyre gjenerali dhe prifti shprehen në mënyrë shumë denigruese për kulturën shqiptare dhe për psiko­logjinë nacionale shqiptare, për simbolet nacionale shqip­tare:
«- Ju kujtohen këngët që këndonin punëtorët e komunales, në ato net kur flinim në çadër, në mal? Ju kujtohet ç’mërzi dhe tri­shtim na pllakoste kur i dëgjonim?
- Më kujtohet, - tha gjenerali, - është vështirë t’i harrosh ca gjëra.
- Ato këngë i këndonin kryesisht shkatërrimit dhe vdekjes, -vazhdoi prifti. - Kjo është karakteristikë e artit të tyre. Këtë e gjen në këngë, në veshje dhe në çdo gjë. Pak a shumë kjo është karakteristikë e popujve ballkanikë, por te shqiptarët është më e theksuar. Bile edhe flamuri i tyre nacional nuk simbolizon gjë tjetër veçse gjakun dhe zinë».[5]
Me këtë kërkohet t’u thuhet shqiptarëve se ata duhet ta pranojnë artin e realizmit socialist, që, duke pasur si parim luftën e klasave, kryesisht ka pasur si motiv shkatërrimin, vdekjen dhe që ka pasur një thatësi të tmerrshme, duke e paraqitur këtë si traditë shqiptare. Kadare u thotë shqiptarëve, me gojën e dy per­sonazheve të veta perëndimore se Perëndimi i sheh shqiptarët si një popull primitiv dhe pret dhe dëshiron me cinizëm asgjë­simin e popullit shqiptar: «shqiptarët prej natyre janë të prirë për luftë, - tha prifti. - Ata e përqafojnë atë me ndërgjegje të plotë. Lufta është bërë pjesë organike e këtij kombi, ajo ia ka helmuar gjakun si një njeriu të alkolizuar».[6]
Dhe më tutje:
«- Ata në luftë i shtyn instinkti i vjetër. Kjo është një nevojë e diktuar nga natyra e tyre. Në paqe ata trullo­sen e përgjumen ashtu si gjarpëri në stinën e dimrit. Vetëm në luftë e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre.
Gjenerali tundi kokën.
- Lufta është gjendja normale e këtij vendi. Prandaj ata në luftë janë të egër, të rrezikshëm dhe bëjnë dëm më tepër se ç’duhet.
- Domethënë ky popull, me këtë etje që ka për asgjësim ose vetasgjësim, është i destinuar të zhduket - tha gjenerali».[7]
Ja pra sesi Kadare, me gojën e personazheve të veta, u jep shqiptarëve kumtin që regjimi do që ata të besojnë për mënyrën sesi i gjykon Perëndimi. Dhe kjo përsëritet:
«Prifti vazhdoi të fliste, por gjenerali nuk po e dëgjonte më.
- Ne sikur po flasim shumë për ta, - tha më në fund. - E ç’na duhen punët e tyre? Nuk e kanë zhdukur njëri-tjetrin një sahat e më parë?» [8]
Dhe specialisti shqiptar i misionit, që ka për detyrë t’i masë dhe dizinfektojë eshtrat, pasi njihet me një bisedë të tillë, merr përsi­për dhe rolin e zëdhënësit filozofik të regjimit, duke u dhënë priftit dhe gjeneralit një përgjigje për këto gjëra, çka tekefundit është një mënyrë me të cilën autori kërkon që të potencojë idenë e mësipërme se Perëndimi kërkon asgjësimin e popullit shqip­tar: «Qëllimi i vërtetë i tyre është që të përgatisin opinionin dhe të propagandojnë idenë e asgjësimit të njeriut shqiptar».[9]
Se ata që i përpunojnë dhe qarkullojnë tezat e mësipërme që vihen në gojën e priftit dhe të gjeneralit kanë këtë qëllim, kjo është e vërtetë. Por historikisht ata që e kanë bërë këtë nuk kanë qenë perëndimorë, por sllavë dhe grekë, të cilët janë përpjekur t’ua fiksojnë këto ide edhe perëndimorëve. Kadare këtu qëlli­misht spekulon duke i paraqitur këto teza si të përpunuara nga perëndimorët.
Romani «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» i Kadare është plo­tësues i tablosë prej ferri që Kadare u jep shqiptarëve për Perë­ndimin, në librat e tij. Pra, Perëndimi jo vetëm është «ferr», por djajtë e tij edhe na urrejnë dhe duan të na zhdukin ne shqipta­rëve nëse do të mundin. Paradigma izolacioniste antiperëndi­more shqiptare e përpunuar politikisht nga Enver Hoxha në vi­tin 1961 dhe e zhvilluar më vonë, si dhe e letrarizuar nga Is­mail Kadare, si një paradigmë gjithëhistorike shqiptare, qe shumë kon­venuese për Enver Hoxhën dhe Ismail Kadarenë. Enver Hoxhës zbatimi i kësaj paradigme i siguroi pushtetin dhe legjitimimin e këtij pushteti në kushtet e izolimit të vendit, ndërsa Ismail Kada­resë zbatimi në letërsi i kësaj paradigme dhe zhvillimi i mëtu­tjeshëm i saj i solli shumë të mira, duke qenë se u bë shkrimtari i oborrit komunist, beniamini i Enver Hoxhës, se iu përkthye vepra në Perëndim me sponsorizimin e regjimit komunist etj. Por, për shumësinë e shqiptarëve zbatimi i kësaj paradigme dia­bolike, që çoi në izolimin stalinist të vendit qe një katastrofë e vërtetë, pasi shqiptarët, në një mënyrë ose në një tjetër «hëngrën bar», siç u shpreh Enver Hoxha dhe vazhdojnë të paguajnë çmi­min e kësaj politike, duke vazhduar që, në një mënyrë ose në një tjetër «të hanë bar». Sigurisht që me përjashtim të Ismail Kada­resë.
Romani «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» u pëlqye menjëherë prej armiqve historikë të nacionit (kombit) shqiptar, serbëve dhe grekëve. Ky roman u përkthye në serbisht që në vitin 1968 dhe jo nga ndonjë shtëpi botuese e federatës jugosllave në Beograd, por nga shtëpi botuese e qytetit Krushevac, të Republikës së Ser­bisë. Është e kuptueshme se përse serbët e pëlqyen këtë libër. Ata e bënë këtë për shkak se në këtë libër shkrimtari shqip­tar më i njohur i kohës i paraqet gjërat sikur Perëndimi i urren shqiptarët dhe kërkon zhdukjen e tyre. Kështu, serbët mund të gjenin lehtësisht alibi për të gjitha planet dhe fushatat e tyre për zhdukjen e shqiptarëve, madje kështu i jepej kurajo popullit serb që t’i zbatonte këto plane në të ardhmen, sikur ndodhi në vitet 1998-1999, pasi, derisa shqiptarët janë të bindur se Perë­ndimi kërkon t’i zhdukë, atëhere serbëve nuk u mbetet tjetër veç ta përmbushin këtë vullnet të Perëndimit. Për të njëjtat arsye roma­ni i Kadaresë «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» u botua dhe në Greqi, që në vitin 1972, pra në kohën kur në Greqi qe në pushtet një diktaturë nacionaliste, e ashtuquajtura junta e kolo­nelëve.
«Gjenerali i ushtrisë së vdekur» është i pari roman i Ismail Kadaresë që u botua në Perëndim, në Francë, në vitin 1970, nga shtëpia botuese «Albin Michel» dhe që atëhere ka njohur dhe gjashtë botime të tjera. Botimi i romanit u bë me financimin e qeverisë franceze, e cila çdo vit ndan një shumë të madhe për sponsorimin e botimit të librave nga vendet frankofone ose të librave të huaj të pëlqyeshëm për Francën. Në këtë financim përfshihen dhe shpenzimet për t’i bërë publicitet librit të botuar. Botimi në Francë i romanit «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» ishte një çështje e asaj që francezët e quajnë «raison d’etat», pra arsye shtetërore, ose interes nacional.
Romani «Gjenerali i ushtrisë së vdekur»i pëlqeu shumë buro­kracisë kulturore franceze, e cila vendoste për sponsorizimin e botimit të librave të huaj në frëngjisht, pasi romani i Kadaresë u pa si një hakmarrje për romanin e Alberto Moravias «La Cio­ciara», i botuar në vitin 1958 dhe që bëri një bujë të madhe. Mbi bazën e këtij romani u bë në vitin 1960 edhe një film i sukses­shëm. Francezët e panë librin dhe filmin «La Ciociara» si një fyerje për Francën dhe posaçërisht për ushtrinë franceze. Në romanin e Moravias tregohet historia e dy femrave, nënë e bijë, të cilat enden në Italinë kaotike të kohës së Luftës së Dytë Botërore, të shndërruar në fushëbeteje. Të dy femrat, nëna dhe vajza e saj e mitur, përdhunohen nga goumier-ët, ushtarët fran­cezë me origjinë marokene, që luftonin në anën e aleatëve (bri­taniko-amerikanëve) kundër gjermanëve. Nga kjo vajza pëson një shok nervor. Edhe pse përdhunuesit qenë arabë, francezët e panë librin si poshtërues, pasi këta arabë ishin pjesë e ushtrisë franceze dhe luftonin nën flamurin francez. Në libër Franca akuzohej sikur solli barbarët në Itali, me këta arabo-francezë që në libër paraqiten më të këqij se gjermanët, të cilët nuk para­qiten si përdhunues femrash.
Në këto rrethana, kuptohet se dalja e romanit të Ismail Kada­resë «Gjenerali i ushtrisë së vdekur», do t’u pëlqente shumë francezëve, për faktin se në këtë roman linja kryesore është kër­kimi nga ana e misionit ushtarak italian, që pati ardhur në kohën e komunizmit në Shqipëri për të mbledhur eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, i eshtrave të kolonelit italian Z, i cili figuron i humbur. Më në fund, në një skenë mjaft melodramatike, gjenerali që kryesonte misionin i gjen eshtrat e kolonelit në ballafaqimin me një plakë shqiptare (Nica), e cila e pati vrarë kolonelin me sëpatë, pasi ai i pati përdhunuar të vajzën e saj 14-vjeçare, e cila pas kësaj fat­ke­qësie i dha fund jetës, ndërsa plaka Nicë e varrosi kolo­nelin tek pragu i portës së vet. Kur në fshatin e saj erdhi gjene­rali italian që mblidhte eshtrat, Nica i nxori eshtrat e kolonelit të mble­dhura në një thes dhe ia hodhi gjeneralit para këmbëve, në mes të një dasme shqiptare ku ai pati shkuar, i paftuar.
Për francezët kjo ishte pikërisht ajo që kërkonin. Tash ata mund t’u thoshin italianëve se ju para se të na fajësoni ne për përdhu­nimet e arabëve me uniformë franceze, që luftuan në Itali, bëni mirë të pranoni përgjegjësinë për ato që kanë bërë ushtarët tuaj në vendet e tjera, pasi ju me invazionet tuaja u bëtë shkak që Italia të bëhet fushëbeteje. Prandaj francezët e botuan librin në Francë dhe me mënyrat e tyre i bënë shumë publicitet në botë, duke nxitur indirekt botimin e tij në shumë vende të botës, duke dashur që të kundërbalanconin efektin e «La Ciociara». Gjithsesi, romani «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» nuk u pëlqye kurrë vërtet nga publiku në Francë dhe në vende të tjera. Këtë e tregon fakti që numri i kopjeve të shitura të tij nuk është bërë kurrë i ditur.
Problemi me romanin e Kadaresë ishte se, derisa historia që tregohej tek «La Ciociara» ishte e vërtetë, historia që tregohej në romanin «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» ishte një trillim. Në kohën e regjimit komunist, në Shqipëri u thanë të gjitha të zezat për ushtrinë italiane që okupoi Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është thënë se italianët arrestonin, internonin, tortu­ronin dhe vrisnin antifashistët shqiptarë, se digjnin shtëpitë e tyre për reprezalje, por kurrë, në asnjë botim të kohës së regji­mit komunist në Shqipëri nuk është pretenduar se ushtarakët italianë kanë përdhunuar femrat e mitura shqiptare. Në të 3112 (tre mijë e njëqind e dymbëdhjetë) faqet e librit me katër volume «Historia e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Popullit Shqiptar», i botuar në kohën e komunizmit, dhe ku tregohet lufta që u zhvillua në Shqipëri deri në detaje, nuk thuhet asgjë e tillë. Unë që i kam lexuar të gjithë librat me kujtime të shkruar nga ish-partizanë dhe të botuar në kohën e komunizmit në Shqipëri, e them me përgjegjësi të plotë se atje nuk tregohet asnjë rast kur oficerët ose ushtarët italianë të kenë përdhunuar vajza të mitura, ose femra shqiptare në përgjithësi. Në rast se një episod i tillë do të kishte ndodhur, propaganda e regjimit komunist shqiptar nuk kishte përse mos ta përmendte. Fakti që ajo nuk e shpiku, duke përjashtuar romanin e Kadaresë, është mjaft kuptimplotë, për të treguar se edhe regjimi komunist kishte limitet e veta.
Por, atë akuzë që ushtrisë italiane nuk ia ka bërë propaganda e Enver Hoxhës, ia ka bërë Ismail Kadare në romanin «Gjene­rali i ushtrisë së vdekur». Duke sajuar me fantazinë e vet prej shkrimtari episodin kur një oficer i lartë italian, koloneli Z, për­dhunon një vajzë të mitur shqiptare, Ismail Kadare e ka kapër­cyer edhe poshtërimin, edhe fyerjen që propaganda e regjimit komu­nist shqiptar i ka bërë ushtrisë italiane, e cila okupoi Shqipë­rinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht që në një roman autori trillon ngjarje me fantazinë e vet, por edhe kjo duhet të ketë një limit. Në traditën orale shqiptare (epos dhe këngët e tjera për luftrat) nuk ka ndodhur që të fyhet armiku për gjëra që nuk i ka bërë dhe letërsia moderne shqiptare e ka ruajtur këtë traditë, me përjashtim të Kadaresë.
Por Kadare këtë roman nuk e shkroi ashtu thjesht nga mendja e vet, por me porosi të regjimit komunist dhe nëse Kadare do të tregohej i sinqertë, do të shënonte si bashkautor në romanin e vet të parë, Sigurimin e Shtetit. Romani i Ismail Kadaresë «Gje­ne­rali i ushtrisë së vdekur», nëse mund të quhet një kryevepër, ishte në fakt një kryevepër e Sigurimit të Shtetit, policisë sek­rete të regjimit komunist shqiptar. Kur misioni ushtarak italian erdhi në Shqipëri në fillim të viteve ’60, për të tërhequr eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, një nga gjërat që italianët kërkuan të dinin ishte vend­varrimi i kolonelit Gamucci dhe i repartit të tij. Italianët kishin të dhëna të sakta për vendet e varrimit të ushtarëve të tyre në Shqipëri, ndërsa për rastin Gamucci, nuk kishin asnjë të dhënë. Ata e dinin vetëm që qenë dorëzuar tek partizanët dhe qenë pushkatuar prej këtyre të fundit. Në atë kohë në Romë u bë dhe një gjyq për këtë çështje ku me prova u nxor fajtor vetë kreu i regjimit komunist shqiptar, Enver Hoxha, si urdhërues i push­katimit të robërve italianë. Regjimi komunist u vu në situatë të vështirë pasi pushkatimi i robërve qe një krim lufte dhe në gjyqin e Nurenberg-ut pati qenë pjesë e akuzës kundër nazistëve edhe një rast i pushkatimit të 30 robërve italianë në Shqipëri. Krimi bëhej dhe më i shëmtuar nëse karabinierët italianë qenë varrosur lakuriq, pasi më parë i patën urdhëruar t’i zhvishnin për t’u marrë rrobat. Kadri Hoxha, ish-komandant i qarkut të Elba­sanit, do të dëshmonte për këtë krim në vitin 1991 para medias italiane. Sigurimi i shtetit natyrisht që i raportonte udhë­heqjes komuniste për zhurmën që bëhej në Itali për «kolonën Gamu­cci», siç njihej reparti i karabinierëve të pushkatuar. Re­gjimi u vu në vështirësi dhe nga insistimi i misionit ushtarak italian në Shqipëri për të mësuar vendin e varrimit të këtij grupi. Për ta shpëtuar regjimin komunist nga turpi i krimit Sigurimi i Shtetit sajoi një legjendë sikur kolona Gamucci nuk pranoi të bash­kohej me partizanët, por endej nëpër fshatra duke bërë krime dhe grabitje, për çka u asgjësua nga banorët e zonës.
Natyrisht Sigurimi sajoi dhe skenarin ku fshatarët e thjeshtë ia treguan këtë përrallë gjeneralit italian që erdhi në Shqipëri. Kuintesenca e kësaj legjende të Sigurimit të Shtetit qe romani i Kadaresë «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» (1963). Në qendër të romanit është historia e kolonelit Z, i cili rezulton i humbur dhe varri i tij, ashtu si i Batalionit Blu që drejtonte, nuk dihen. Gjatë gjithë romanit Gjeneralin e mundon gjetja e eshtrave të Kolo­nelit Z. dhe Batalionit Blu, të humbur pa lënë gjurmë bashkë me komandantin. Historia romaneske është shumë e ngjashme me atë të kolonelit Gamucci dhe të repartit të vet të karabinierëve, me uniforma blu, që qenë zhdukur pa lënë gjurmë dhe që ishin një nga preokupimet kryesore të misionit kërkues Italian. Po ashtu shumë e ngjashme është historia e Kolonelit Z, siç e paraqet Kadare, me legjendën që sajoi Sigurimi i Shtetit për fundin e kolonës Gamucci. Kadare thotë se Koloneli Z dhe batalioni i tij u zhdukën nga fshatarët, të cilët u hakmorën për vrasjet, plaçkitjet dhe përdhunimet e bëra nga Koloneli Z dhe forcat e tij. Të gjitha këto analogji e bëjnë të dyshimtë këtë roman të Kadaresë. Si i mësoi ai atëherë sekretet e sigurimit? Me sa duket Sigurimi i Shtetit është bashkautor në këtë roman të parë të Kadaresë. Që të sqarohen të gjitha këto enigma, e mira do të ishte që gazeta «Panorama», e cila ka dhënë dhe po jep prova se ka akces të posaçëm në arkivat sekrete, të na mundësojë që të njihemi me dosjen që ka pasë hapur Sigurimi i Shtetit për survejimin e Misionit Ushtarak Italian që erdhi në Shqipëri për të mbledhur eshtrat e ushtarëve dhe posaçërisht për çështjen e kolonel Ganucci. Në rast se Sigurimi i shtetit ka ndërtuar një legjendë të ngjashme me historinë që jep Kadare, atëherë del se Kadare që në vitin 1963 është njohur me dosjen e Sigurimit për këtë çështje dhe praktikisht ka bashkëpunuar me të. Këtë aspekt të së shkuarës së Kadaresë duhet të na zbulojë dhe Fahri Balliu në gazetën «55», me anë të drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Brendshme - gazetar të tij, Kastriot Dervishi, i cili boton shumë dokumente sekrete me të cilat tentohet të provohet se Sigurimi i Shtetit survejonte Kadarenë.
Romani i Kadaresë është një fyerje për kombin italian. Ita­lianët e sotëm, populli në përgjithësi dhe posaçërisht ushtarakët, i nderojnë të rënët italianë të të gjitha kohërave, pavarësisht se ku kanë rënë dhe nuk u vjen mirë kur ata poshtërohen dhe fyhen, duke u shpifur për ta gjëra që nuk i kanë bërë. Prandaj, italianët me siguri që ndihen të fyer nga romani i Ismail Kadaresë «Gjenerali i ushtrisë së vdekur», botimi i të cilit në italisht nuk duhet parë si pëlqim i italianëve për këtë libër, por si dëshirë e tyre për të njo­hur se ç’thuhet për ta. Kur shpifet dhe fyhet ushtria e një vendi, për gjëra të paqena, shumë të ndyta, është poshtëruar dhe fyer kombi përkatës, pasi ushtria është një nga shtyllat, simbolet kryesore të një kombi. Kur shpifet dhe fyhet për ushtarakun e lartë të një ushtrie, gjëra të paqena, shumë të ulëta, siç është rasti i një koloneli italian në romanin e Kadaresë, atëherë është fyer ushtria e këtij vendi. Romani «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» u botua dhe në Itali, por këtu jo me financim shtetëror si në Francë, por në mënyrë private.
«Kur një gjeneral italian nisej në Shqipëri» e titullon Mark Marku artikullin e vet lavdërues për Ismail Kadarenë, botuar tek «Panorama», në 17 nëntor 2007. Ky mund të ishte fare mirë titu­lli i shkrimit të ndonjë veterani në gazetën «Kushtrim bre­zash», ku shiten heroizma për disa qindarka, dhe ku numri i ita­lianëve dhe gjermanëve të vrarë në Shqipëri, në Luftën e Dytë Botërore, po i afrohet me shpejtësi milionit. Por ky në fakt është titulli i një artikulli të llojit të kritikës lavdëruese letrare, për një roman, «Gjenerali i ushtrisë së vdekur», për të cilin Mark Marku pretendon se është romani i parë modern i letërsisë shqipe. Mark Marku duket se nuk e ka sensin e diskrecionit, kur shkruan:
«Romani modern shqiptar zë fill pikërisht në momen­tin kur një gjeneral italian merr urdhrin e nisjes për në Shqipëri për të mbledhur eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aventura e gjeneralit personazh e treguar nga një shkrimtar i ri 26-vjeçar i quajtur Ismail Kadare, shndërrohet në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, roman i cili para­lajmëronte ardhjen e një shkrimtari të pazakontë në letër­sinë e shekullit të XX».[10]
Si mundet që letërsia moderne e një vendi të fillojë me një ngjarje të tillë? Që romani është i pazakontë, për këtë pajtohem me këtë Markun në katror, se nuk ka ndodhur në historinë e letërsisë botërore, që një shkrimtar të frymëzohet për të bërë një roman nga një ngjarje e tillë, pra nga ardhja e një gjenerali të huaj në vendin e vet, me misionin për të mbledhur eshtrat e ush­ta­rëve të vet të vrarë në luftë në vendin tjetër. Lufta kishte mba­ruar tashmë prej kohësh dhe mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë, ishte nënshkruar prej vitesh traktati i paqes dhe të dy vendet kishin marrëdhënie diplomatike. Tradita e hershme, dhe e mirë e popujve të qytetëruar, që është edhe shqiptare, për res­pektimin e të vdekurve, edhe kur ata janë ushtarë armiq të një lufte të dikurshme, kërkonte që ky gjeneral të lihej i qetë të bënte punën e vet, dhe t’u çonte nënave, motrave, fëmijëve, esh­trat e bijve dhe prindërve të tyre. Në fakt kështu veproi regjimi komunist, i cili nuk e përcolli ardhjen dhe qendrimin në Shqi­përi të këtij gjenerali italian dhe misionit të tij me mbulim nga mje­tet e propagandës së kohës, gazetat, radiot etj., apo me ko­mente në fjalimet e liderëve të regjimit komunist shqiptar. Por ndryshe veproi Kadare i cili shkroi romanin e vet të parë duke u bazuar mbi këtë ngjarje.


[1] Ismail Kadare & Denis Fernandez Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë, 2005, f. 33.
[2] Ismail Kadare: «Gjenerali i ushtrisë së vdekur», «8 nënëtori», Tiranë, 1971, f. 29.
[3] Po aty, f. 38.

[4] Po aty, f. 127.
[5] Po aty, fq. 127-128.

[6] Po aty, f. 126.
[7] Po aty, f. 28.
[8] Po aty, f. 130.
[9] Po aty.

[10] Gazeta «Panorama», Tiranë, 17 nëntor 2007, fq. 1, 29.