A ËSHTË TEK ISMAIL KADARE NJË SHKRIMTAR I DËSHTUAR ROMANESH POLICORE






Ismail Kadare, në romanin «Lulet e ftohta të marsit» e paraqet personazhin kryesor, piktorin Mark Gurabardhi, sikur ka një çrregullim mendor të veçantë, një lloj syndrome të Sherlok Holms, pra maninë e hetimeve policore. Ismail Kadare shkruan për Mark Gurabardhin:
«Dy-tri herë i tha vetes: ç’e vret mendjen, por mendja si e ngucur për keq bënte të kundërtën, rendte në atë drejtim ku ai s’donte. Një mbindezje e tillë i ndodhte rrallë, zakonisht në prag të etheve. E dinte tashmë se gjëja më e mirë në kësi rastesh ishte të mos e pengonte. Le të ikte larg, aq sa të donte drejt qendrës së asaj gjithnaje, gjersa të lodhej.
E megjithatë ashtu si disa ditë më parë ndjeu rrëqethje. Gjithë ky zell i ringjallur kohët e fundit për hetim e trembte. Kjo xanxë polici. Dhe prapë i erdhi në kujtesë mbasditja e lodh­shme e grindjes me të atin, në prag të zgjedhjes së shkollës. Syri i tij. Vetmia e syrit mbi ballin e oficerit të policisë... Mark, ç’është ky përfytyrim i çuditshëm?... Kot, profesor...
I ati ishte sprapsur më në fund, veç nga ajo mbasdite diçka kishte mbetur në qënien e tij. Një si mikrob i fshehur, që jepte herë pas here ethe. Pas plenumit të katërt, në prag të arrestimit të Gentianit, për herë të parë kishte ndjerë pendimin për zgje­dhjen e shkollës. Mundësia tjetër, ajo e veshjes polic, sado e turpshme t’i dukej, kishte qenë e vetmja mundësi e dytë në jetën e tij. Si e tillë, ishte e vetmja që kishte të drejtë të paraqitej qoftë edhe si hamendësim i pakryer... Prej kohësh kishte nisur të bëhej rob i kësaj jete të dytë paralele. I dukej për të qeshur, me­gjithatë pashmangshme të merrte me mend se ç’gradë mund të kishte ndërkaq në polici. Një zëvendësshef komisariati ndoshta, në ndonjë qytet të humbur, si ky i këtushmi.
Dy ditë më parë, duke dëgjuar të tjerët që flisnin për vjedh­jen e Bankës, e kishte kapur veten të nënqeshte me shpoti për qashtërinë e tyre, pak a shumë si ai horri, kur dëgjon të flitet për gratë, ngaqë i duket se ato janë punë që më mirë se kushdo i di ai.
I vinte edhe turp edhe për të qeshur, megjithatë e ndjente se kishte ngecur në këtë kotni e nuk shkëputej dot. Ishte një farë detyrimi, me sa dukej, ndaj kësaj jete të dytë, si ndaj një gruaje të ndarë dikur.
Kohët e fundit në vend që të zbehej, kjo jetë e dytë, ajo që kishte qenë kaq vjet si hije paralele, sa vinte ngulmonte për t’u shfaqur. Nganjëherë trysnia e saj ishte e tillë sa i dukej se edhe teshat e oficerit të policisë i kishte gati. Kishte një arkë në fund të ateliesë, një arkë që prej kohësh kishte frikë ta hapte, ngaqë i dukej se ato tesha ishin ndërkaq aty. Nuk ishte e rastit që dy dosjet e Gentianit dhe historia e cipës së gjarpërit e kishin pushtuar me aq ngulm mendjen e tij.
Kish ngecur pa dyshim në një nga ato rrjetat e padukshme që vareshin gjithkund dhe që shqisat e njerëzve normalë nuk i kapnin dot.
Do të çlirohej ndoshta nga kjo ditën kur jeta e tij paralele prej polici, kur t’i vinte afati (afati i paracaktuar qyshkur) të këputej në mes nga ndonjë plumb banditi... Atëherë me siguri do të ndihej i lirë. Nganjëherë thoshte me vete, lavdi Zotit që nuk jam ngatërruar me ndonjë jetë të tretë, a të katërt. Ngaqë nuk guxonte t’i fliste vajzës për këtë, nga droja se mos e merrte për të çmendur, bënte dialogë të përfytyruar me të».[1]
Në rast se do të shqyrtohet me vëmendje vepra e Kadaresë do të konstatohet se personazhit të Mark Gurabardhit Kadare i ka veshur një veti të vetën, prirjen praktikisht maniake për të shndërruar çdo gjë që shkruan në një surrogat të romanit poli­cor. Në të gjithë kritikën time për veprën e Ismail Kadaresë jam orientuar tek idetë që përcjell ai nëpërmjet personazheve që krijon dhe situatave në të cilat i ve ata, dhe kam evituar të bëj kritikun letrar të veprës së tij, duke mos e konsideruar veten kompetent për këtë gjë. Por si lexues unë nuk mund të mos kem një konsideratë të llojit të kritikës letrare për veprën e Kadaresë, sado që kjo konsideratë nuk është prej profesionisti të kritikës letrare. Unë do të doja që një profesionist i kritikës letrare të ma kundërshtonte pikëpamjen që do të shpreh më tutje. Unë kam bindjen, të cilën mund ta provoj, se tek Ismail Kadare si shkri­m­tar, gjendet një shkrimtar i dështuar romanesh policore. Roma­net e Kadaresë janë praktikisht surrogat të romanit policor. Madje Kadare mund të konsiderohet si promovuesi i një lloji të ri romani, që është romani policor i përmbysur, të cilin unë e quaj: roman alibik. Ismail Kadare në romanet e veta zakonisht bën alibinë e një krimi të regjimit komunist. Le të këqyrim fak­tet. Romani i parë i Ismail Kadaresë «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» është surrogat i romanit policor. Gjenerali praktikisht na paraqitet si një dedektiv që kërkon të zbulojë enigmën e zhdukjes së kolonelit Z dhe të gjejë eshtrat e tij. Këtu bëhet fjalë për një ngjarje të vërtetë, siç kam treguar në shkrime të tjera, bëhet fjalë për një krim të kryer me urdhër të Enver Hoxhës. Kadare e ndërton romanin si një roman alibik, në sensin që autori në roman i përshkruan gjërat në atë mënyrë që e shfa­jëson Enver Hoxhën për krimin e pushkatimit të robërve, duke e paraqitur vrasjen e kolonelit si ndëshkim që iu dha atij nga një plakë shqiptare për përdhunimin që i bëri mbesës së saj. Pra, Kadare e ndërton romanin si krimineli që bën një dëshmi të rreme.
Të tjera vepra të Ismail Kadaresë janë realisht romane poli­core. Novela e Kadaresë «Kush e solli Doruntinën» është kon­ceptuar praktikisht kështu. Personazhi kryesor është kapiteni i policisë Stres, i cili historinë e kthimit të Doruntinës, që preten­don se është sjellë nga vëllai i saj, Kostandini, që ka vdekur para tre vjetësh, e trajton si një çështje policore, duke kërkuar të zbulojë mashtruesin që i është paraqitur asaj si i vëllai. Novela e Ismail Kadaresë, «Emblema e dikurshme», e cila mund të quhet roman sipas praktikës së riemërtimit të veprave të Kadaresë, është praktikisht një roman policor. Personazhi kryesor në novelë, gjeologu Bardhyl Krasta, i cili ka shkuar në një fshat të Myzeqesë për të kërkuar naftë, njihet me historinë e një krimi të hershëm dhe fillon kërkimet për të zbuluar të vërtetën si një dedektiv amator. Kjo është praktikisht përmbajtja e gjithë novelës.
Edhe romani «Koncert në fund të dimrit» është praktikisht një roman policor. Personazhi kryesor në roman, Gjergj Dibra, i cili punon si korrier diplomatik në Ministrinë e Jashtme, është duke u kthyer me avion nga Kina, ku porsa ka ndodhur vdekja enigmatike e Lin Biao, ministrit kinez të mbrojtjes dhe zëven­dësit të Mao Ce Dun. Gjergj Dibra rrëmbehet nga një obse­sion për të bërë hetuesin amator në zbulimin e së vërtetës të kësaj ngjarjeje. Në këtë lojë ai tërheq dhe mikun e tij shkrim­tarin Skënder Bermema. Në një linjë tjetër të romanit është ministri shqiptar i mbrojtjes, i cili kërkon të fshehë gjurmët e një komploti për të marrë pushtetin me një grusht shteti. Në roman, ministri komplotist kërkon t’ia hedhë fajin disa vartësve të tij, oficerë tankistë, një prej të cilëve është dhe kunati i Gjergj Dibrës. Personazh i romanit është edhe vetë Enver Hoxha, i cili me durim zbulon komplotin dhe nuk sillet si Mao Ce Dun, që e eliminoi ministrin e vet të mbrojtjes, por vepron sipas rregullave të «shtetit ligjor» , duke ia dhënë fajtorin gjyqit. Romani është në fakt një roman policor i përmbysur, ose më saktë një roman alibik, ku autori shtjellon një alibi për krimet e diktatorit Enver Hoxha.
Romani i Kadare «Dasma» është gjithashtu një roman alibik. Në roman, shkrimtari D. K. (autori) gjendet në një dasmë të veçantë në vitet gjashtëdhjetë, ku një vajzë malësore, e cila ka qenë e fejuar që në djep, kur shkon në një aksion rinie, në hekurudhë, dashurohet me një të ri dhe martohet me të. Por familja e të fejuarit dhe babai i saj e kërcënojnë me ndëshkim sipas kanunit, pra që ta vrasin me të famshmin «fisheku në pajë». Mbi dasmën rri pezull alarmi për ardhjen e vrasësve. Shkrimtari D. K. i ndjek ngjarjet si një hetues amator dhe në fund të romanit, kur njerëzit e të fejuarit dhe babai i vajzës përgjaken mesvedi, shkrimtari D. K. bën konkluzionet si një kriminalist. Romani është në fakt një roman alibik. Në atë kohë bënë një përshtypje të keqe disa ngjarje të këtij lloji, ku regjimi komunist, në fillim nxiste prishjen e fejesës së vajzave malësore të Veriut, të martuara që në djep, sipas Kanunit, si dhe martesën e tyre me dashuri. Por diktatura çuditërisht nuk merrte masa që në kohën e dasmës, familjarët e vajzës dhe ata të të fejuarit të saj, të mbaheshin disa ditë të izoluar, në mënyrë që të evitohej një krim. E pra, diktatura nuk e kishte për gjë që të izolonte me qindra njerëz në raste të tjera, si p.sh. kur Shqipërinë e vizitonte Hrushovi, apo Çu En Lai. Në fakt, regjimi neglizhonte qëlli­misht, në mënyrë që të nxiste armiqësira të reja në Shqipërinë e Veriut, dhe pastaj këto t’i përdorte si material shtrëngues, siç quhej në gjuhën e Sigurimit të Shtetit, për t’i rekrutuar këta njerëz si bashkëpunëtorë të policisë sekrete. Në romanin e Kadaresë «Dasma», Katrina, vajza malësore, e cila prish fejesën kanunore, është katolike dhe po kështu janë njerëzit e të fejuarit të saj. Në romanin e Kadaresë «Dasma» bëhet alibia e një krimi shtetëror.
Edhe novela e Ismail Kadare «Ura me tri harqe», që sot quhet roman, është konceptuar si një roman policor. Legjenda e murimit atje shndërrohet në një histori kriminale, ku dy kom­pani rivale, njëra që ka marrë një koncesion për transportin me trape dhe lundra nëpër lumenj, dhe tjetra që ka marrë një konce­sion për ndërtimin e urave, e përdorin legjendën për të kamu­fluar veprime kriminale që bëjnë ndaj njëra-tjetrës. Murgu Gjon, personazhi kryesor, e shqyrton ngjarjen si një hetues amator. Novela është alibike, pasi krimi i izolimit të Shqipërisë që kishte bërë regjimi komunist i Enver Hoxhës, projektohet tek bota, posaçërisht Perëndimi, si një krim i tejkohshëm.
Romani i Ismail Kadare, «Nëntori i një kryeqyteti» është kon­ceptuar si një roman policor i përmbysur, ndryshe gjithashtu një roman alibik, ku bëhet alibia e udhëheqjes komu­niste për vrasjet e intelektualëve në Tiranë, në nëntor 1944. Në roman një vdekje e tillë, ajo e shkrimtarit Adrian Guma, para­qitet si vetë­vrasje. Ismail Kadare, duke sofistikuar teknikën e romanit alibik, i përshkruan me hollësi fjalët që dolën për masa­krimin e Adrian Gumës nga komunistët, dhe i quan ato sajesa, legjenda. Kështu, kemi të bëjmë me një roman policor të përmbysur, ku fshihet një krim.
Edhe romani «Dimri i madh» është konceptuar si një roman policor i përmbysur, respektivisht një roman alibik. Në roman, Ismail Kadare, krimin ia heq kriminelit dhe e projekton tek të tjerët. Krimin që bëri Enver Hoxha duke e izoluar Shqipërinë për hir të idealit të lartë të mustaqeve të Stalinit, si dhe duke vendosur në vend një regjim terrori, Kadare e projekton tek të tjerët, si krim që Hrushovi, Bashkimi Sovjetik, vendet e tjera të kampit socialist, bënë ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar, duke i vënë bllokadë. Kur Bashkimi sovjetik dhe vendet satelite të tij, thjesht e braktisën Shqipërinë në fatin e vet, për pragma­tizëm gjeopolitik. Edhe regjimit të terrorit në vend i bëhet alibia duke i paraqitur njerëzit e klasave të përmbysura si planifikues të terrorizmit masiv të bardhë (antikomunist). Personazhi krye­sor në roman, pas Enver Hoxhës, përkthyesi i tij, Besnik Struga, kur gjendet në një dyqan të deklasuarish ka vizionin e një masa­kre të terrorit të bardhë, ku ata njerëz që ai shikon në dyqan do ta masakrojnë atë, dhe ai betohet me vete se do të luftojë kundër tyre në rast të një kundër-revolucioni. Linja më e rëndësishme alibike në roman është ajo që ka të bëjë me personazhin e Enver Hoxhës. Enver Hoxha paraqitet si një njeri që nuk e do terrorin dhe që i ka luftuar terroristët si Koçi Xoxe, dhe frenon ithtarët e terrorit si ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit, Aranit Çorraj, i cili i shkruan letër Enver Hoxhës duke i kërkuar një valë të re terrori në vend. Merret vesh, asgjë të vërtetë nuk ka në këtë përshkrim. Pas veprimeve të Koçi Xoxe qëndronte vetë Enver Hoxha dhe pikërisht në kohën që Kadare botoi romanin, Enver Hoxha u kishte dhënë liri «Aranit Çorrajve» të vet, që të ngrinin një valë terrori në vend. Shkurt, romani «Dimri i madh», është surrogati i një romani policor.
Novela e Ismail Kadare «Prilli i thyer», që sot quhet roman, është gjithashtu surrogati i një romani policor, një roman alibik. Shkrimtari Besian Vorpsi, i porsamartuar, me bashkëshorten, niset për në tokën e kanunit, për të kaluar atje muajin e mjaltit dhe për të zbuluar enigmën romantike të tokës së Kanunit dhe njerëzve të saj, dhe posaçërisht të gjakmarrjes dhe të njerëzve të saj, gjakësve, siç quhen. Por në tokën e kanunit ndodh diçka edhe më e tmerrshme se gjakmarrja individuale. Në kullën e kryezotit të tokës së kanunit projektohet e zbatohet skema e një krimi të madh, e një megakrimi, nxitja e gjakmarrjes, për të për­fituar prej taksës që gjakësit i paguajnë shtëpisë së kryezotit të tokës së kanunit. Kadare shpik librin e gjakut, që gjoja është në kullën e zotit të Oroshit, dhe taksën e gjakut, që gjoja i paguhet atij nga ata që vrasin për gjakmarrje, dhe këto i bën qartësisht për të sajuar një alibi për gjakderdhjen politike që bëri regjimi komu­nist në Shqipërinë e Veriut. Në rast se elita e Shqipërisë së Veriut, krerët dhe priftërinjtë nxitnin gjakmarrjen duke përdorur Librin e gjaqeve, atëherë gjakderdhja që bëri regjimi komunist ndaj tyre duket e justifikuar, derisa ishte fjala për ndalimin e gjak­marrjes. Kuptohet se alibia nuk qëndron, pasi regjimi ko­mu­nist derdhi masivisht një tjetër lloj gjaku, atë për qëllime poli­tike dhe se Libri i gjaqeve dhe taksa e gjakut nuk kanë ekzis­tuar në realitet.
Romani i Ismail Kadare «Pallati i ëndrrave», i botuar filli­misht si novelë me titullin «Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave» është gjithashtu surrogat i një romani policor. Në roman, nëpunësi i Tabir Sarajit, Ebu Beqirit (Mark-Alemi në botimet e mëvonshme) i jepet një dosje ku është një ëndërr e çuditshme, e cila rezulton më pas të shndërrohet në dosjen e një krimi, të cilin ai e shqyrton praktikisht si një hetues amator. Duke vep­ruar kështu ai zbulon kufomën e ëndërrparësit në Tabir Saraj, si dhe zbulon se ëndrra ishte përdorur si pretekst që sulltani të sulmojë njerëzit e pushtetshëm të familjes së Ebu Beqirit, gjoja si pjesë­marrës të një komploti. Romani është një alibi për survejimin total që diktatura komuniste i bënte popullit me anë të policisë sekrete. Shqiptarëve u thuhej: Ka edhe më keq se pera­ndoria osmane na survejonte edhe në gjumë, duke mble­dhur dhe inter­pretuar ëndrrat.
Romani «Kronikë në gur» është gjithashtu surrogati i një romani policor, një roman alibik. Atje tregohet për kohën e Luf­tës së Dytë Botërore, me syrin e një fëmije, i cili është dësh­mitar i ngjarjeve. Ashtu si tek «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» dhe «Nëntori i një kryeqyteti» në roman bëhet alibia e terrorit të kuq, por këtë herë me syrin e një fëmije, çka është një gjë shumë cinike.
Në novelën «Muzgu i perëndive të stepës», që sot quhet roman, sjellja e regjimit sovjetik poststalinian me shkrimtarin Boris Pasternak shihet si një trajtim policor, ku Pasternak, edhe pse në gjendje të lirë, kalon praktikisht nëpër fazat e një krimi­neli që gjendet nën një hetim policor. Por, në mënyrë sinji­fi­kuese, Kadare në novelë e qorton regjimin sovjetik se kjo mënyrë të sjelli me Pasternakun ishte një bluff dhe regjimi kruschevian (hrushovian) poststalinian thjesht simulonte për­ndjekjen e antistalinistit Pasternak dhe nuk kishte ndërmend ta ndëshkonte vërtet atë. Novela e Kadare është një qortim i regji­mit poststalinian sovjetik, nga pikëpamja e stalinistit. Autori i novelës, që është dhe personazhi kryesor, del si një hetues i rreptë që e qorton hetuesin që po heton një kriminel se nuk e ka përnjëmend atë që po bën.
Në romanin «Përbindëshi» mbizotëron atmosfera e një romani policor. Personazhi kryesor, Gent Ruvina, të cilin Kadare e mode­­lon sipas vetvetes dhe ngjarjeve të jetës së vet, dashurohet me një vajzë të fejuar me emrin Helenë dhe e rrëm­ben atë. Vajza është e trembur se i fejuari i saj e ka kërcënuar se do ta vrasë, në rast se ajo do ta braktisë dhe ai fillon dhe i çon kërcënime njërin pas tjetrit, që të kthehet tek ai, ndryshe do ta vrasë. Në këtë atmosferë, personazhi kryesor projekton tek situata ku ndodhet historinë e Trojës (edhe për shkak të emrit të së dashurës së vet - Helenë) dhe i kapur nga sindromi i Mark Gurabardhit, fillon e shqyrton historinë e rënies së Trojës si një ngjarje të një romani policor. Vrasësi është gjithmonë diku përreth duke përgatitur dhe imagjinuar krimin.
Ismail Kadare në romanin «Dosja H» edhe historisë së dy të huajve, perëndimorë, që vijnë në Shqipërinë e Veriut për të stu­diuar eposin shqiptar, i jep natyrën e një romani policor. Në mënyrë absurde dhe dashakeqe, Kadare i paraqet gjërat në roman sikur misioni i tyre shihej i padëshiruar, njëlloj, si nga serbët, ashtu dhe nga autoritetet shqiptare të kohës së monar­kisë. Kjo përbën bazën që Kadare t’i shtjellojë ngjarjet si në një roman policor.
Romanet e Ismail Kadare të shkruar pas vitit 1990, nuk i shpëtojnë dot stereotipit të tij të romanit-surrogat të romanit policor, të përmbysur, ose jo. Romani «Spiritus» është pikërisht një roman i këtij lloji, ku një ngjarje e kohës së komunizmit hetohet në stilin e romaneve policore nga disa të huaj që vijnë në Shqipëri. Është karakteristike që Kadare nuk përshkruan dot në roman ngjarjen, në kohën që ajo ka ndodhur, por e për­shkruan në retrospektivë, në stilin klasik të romaneve policore, kur kërkohet të zbulohet enigma e një krimi të ndodhur. Romani i Kadare «Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut», i shkruar pas vitit 1990, gjithashtu është konceptuar nga autori si një roman policor i përmbysur, si një roman alibik. Në roman tregohet historia e ushtarit të kufirit, Lul Mazrekut, që simulon të vrarin në kufi në spektakle makabre që inskenon Sigurimi i Shtetit, duke vënë një njeri të mbuluar me një çarçaf të përgjakur në një motoskaf që vozit ngadalë përgjatë bregut në plazh, për të terrorizuar njerëzit. Në fakt, Sigurimi i Shtetit vriste aq shumë njerëz që tentonin të kalonin kufirin, sa nuk kishte nevojë të bënte simulime të tilla me të vdekur fals. Legjendën e simuli­meve të tilla e ka përhapur vetë Sigurimi i Shtetit si pjesë të ali­bisë së vet. Romani i Kadare është gjithsesi alibik, dhe e paraqet Sigurimin e Shtetit sikur bënte disa shaka të llojit të efekteve speciale të Hollywood. Sa për romanin tjetër të Ismail Kadare «Lulet e ftohta të marsit», për të është e tepërt të flas se e kam përmendur në fillim të këtij shkrimi se personazhi kryesor i tij, piktori Mark Gurabardhi jeton me syndromin e policit dhe ka maninë e hetimeve policore.
Ismail Kadare, që prej vitit 1981, kur çoi për botim romanin «Gjakftohtësia», që u botua në 1988, nën titullin «Koncert në fund të dimrit», nuk ka shkruar më një roman të madh. Pse Kadare e ka shkruar romanin e fundit voluminoz në moshën 45 vjeçare? Duket se kjo ka ndodhur për shkak se Kadare ka frikë që të shkruajë romane voluminoze, për shkak të syndromit «Mark Gurabardhi», pra të frikës se i shndërrohen në surrogat të romaneve policore. Enver Hoxha e kuptoi këtë mani të Kada­resë dhe e përdori atë me shumë djallëzi.


[1] Ismail Kadare: «Lulet e ftohta të marsit», «Onufri», Tiranë, 2000, fq. 53-56.