Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mbahet si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kombit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndërtohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e largët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës kur shkruante Ismail Kadare, për koncernet shumëkombëshe që eksploatojnë (shfrytëzojnë) popujt, me ndihmën e elitave sunduese të shitura tek këto kompani shumëkombëshe. Këtë Kadare e bën për t’i bërë jehonë Kushtetutës së vitit 1976, të porsamiratuar nga regjimi komunist dhe me votën e Kadaresë si deputet, kushtetutë ku ndaloheshin shprehimisht investimet e huaja në Shqipëri. Në novelë ngjarjet na paraqiten si rrëfim i murgut Gjon Ukcama, të cilin autori praktikisht e përshkruan si një propagandist komunist të shekullit XX.
Në fillim të novelës tregohet se si në gjithë truallin e Arbërisë dhe më gjerë, një «koncern shumëkombësh» ka marrë me koncesion nga princat shqiptarë të drejtën e lundrimit nëpër lumenj me lundra dhe trape, nga të cilat nxirrte fitime të mëdha prej shpërblimit që paguanin udhëtarët që kapërcenin lumenjtë. Kjo është një projektim në të shkuarën e paradigmës ideologjike komuniste të kohës kur shkruante Ismail Kadare, për koncernet shumëkombëshe që eksploatojnë (shfrytëzojnë) popujt, me ndihmën e elitave sunduese të shitura tek këto kompani shumëkombëshe. Ismail Kadare shkruan në novelën e tij:
«Pranë trungjeve ku lidhet trapi gjatë natës, është një tabelë llamarine, ku me shkronja të shtrembëra, janë shkruar fjalët ‘Lundra dhe trape’. Ka shumë vite që të tilla tabela llamarine janë vënë kudo dhe jo vetëm në viset e kryezotit tonë Stres të Gjikëve, ose Stres Gjikondit, siç e thërresin shkurt, por dhe më tutje, madje edhe përtej kufijve të shtetit të Arbrit, në pjesët e tjera të Ballkanit. Kjo paska ndodhur qysh në dimrin e vitit 1367, dhjetë vjet më parë, kur të gjitha trapet e kalimit nëpër lumenj, gjire e liqene i paska blerë një njeri i çuditshëm, i ardhur zoti e di nga, emrin e të cilit s’e di askush, madje thonë se ai s’ka emër tjetër veç atij ‘Lundra dhe trape’, që ka mbirë tani kudo, si të ishte një bimë që mbin gjithandej ku ka ujëra e lagështirë...Qyshse ky zot i ri bleu trapet e lundrat, trapaxhinjtë e lundrarët u kthyen në rrogtarë të tij, përveç ndonjë rasti të rrallë, si ai i trapaxhiut kokëshkretë të Përroit të Cungjeve, që pranoi më mirë të vdiste urie, sesa të merrte rrogën e ebreut të mallkuar».[1]Këto rreshta Ismail Kadare nuk i ka ndryshuar dhe në ribotimin e novelës «Ura me tri harqe» në vitin 2004.[2]
Sigurisht, e tepërt të thuhet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në shekullin XIV, madje nuk ka ndodhur kurrë. Por kjo është imagjinatë letrare, do të thonë ithtarët e Kadaresë. Eh, në fakt kjo nuk është imagjinatë letrare, por është letrarizim i shablloneve ideologjike të Enver Hoxhës të kohës, për kapitalin ndërkombëtar që shfrytëzon popujt me anë të kompanive shumëkombëshe, që bashkëpunojnë me elitat sunduese të shitura tek ky kapital. Pra, këtu kemi të bëjmë me një surrogat letrar të ideve që shprehte me të madhe Enver Hoxha në atë kohë, dhe që do t’i paraqiste në atë kohë tek libri «Imperializmi dhe revolucioni», me të cilin Ismail Kadare, si deputet që ishte në atë kohë, duhet të jetë njohur para se të dilte në qarkullim publik, se ishte praktika që këto libra, në fillim qarkullonin për rrethe të ngushta. Këto ide u fiksuan edhe në Kushtetutën e vitit 1976, siç thashë më lart. Duket se Ismail Kadare, me t’u njohur me këtë libër të Enver Hoxhës, që ishte nga ana e tij një surrogat i librit të Leninit «Imperializmi si faza më e lartë e kapitalizmit», për t’i bërë jehonë librit dhe Kushtetutës, dhe për ta përshkruar paradigmën leniniste-enveriane, si të tejkohshme, shkroi me shpejtësi këtë novelë, që e përfshiu në triptikun e botuar në 1978.Në novelë përshkruhet konflikti i dy koncerneve shumëkombëshe, që kishin marrë me koncesion nga princat shqiptarë, njëra biznisin e lundrimit në lumenj me lundra dhe trape, ndërsa tjetra rrugët kryesore dhe të drejtën për të ndërtuar ura. Nga këto biznise, të dy këto koncerne nxirrnin fitime nga shpërblimi që paguanin njerëzit për të kaluar lumenjtë me lundra dhe trape, si dhe për të kaluar nëpër ura. Këto dy kompani shumëkombëshe janë në një rivalitet të egër, në shumë vende, duke përfshirë dhe Shqipërinë. Kompania shumëkombëshe ndërtuese, kërkon t’ia marrë tregun kompanisë së lundrimit, duke ndërtuar ura të gurta mbi lumenj, në vendet ku bëhej kalimi me lundra dhe trape nga rivalja e saj.
Në mënyrë që të bëjë të mundur funksionimin në mjedisin mesjetar të shekullit XIV të paradigmës të transferuar ideologjike të shekullit XX, Ismail Kadare i paraqet shqiptarët si ata popujt e kolonizuar afrikanë të shekullit XIX, të cilët habiten dhe tremben kur shikojnë që të huajt po ndërtojnë një urë prej guri. Në novelën e Ismail Kadaresë kompania shumëkombëshe ndërtuese, bën një truk për të siguruar të drejtën e ndërtimit të urave, në pikëkalimet e lumenjve ku sundonte kompania lundruese. Kompania ndërtuese paguan dy njerëz, një që shtihet si i sëmurë nga epilepsia në breg të lumit, dhe një që shtihet si falltar, që shpjegon sëmundjen e të parit, sikur kjo është shenjë hyjnore se në këtë vend duhet ndërtuar një urë. Ismail Kadare i tregon kështu reagimet e njerëzve të ndodhur atje: «Një urë.., Kjo është gjë e çuditshme filluan të thoshin njerëzit rreth e rrotull. I duhet thënë kjo gjë kryezotit tonë. Kush është kryezot këtu? Konti Stres i Gjikëve. E paçi me jetë. Po ti, i huaj je që nuk e di? I huaj, vëlla, prisja trapin të vinte, kur ai fatziu... Duhet çuar patjetër kjo gjë në vesh të kryezotit tonë. Një urë hm. Po iki o njerëz të mirë. Mirë vafsh, mirë vafsh!»[3]Tek ribotimi i vitit 2004, Kadare ka bërë një ndryshim të vogël në këtë paragraf: «Një urë hm. Veç kjo s’na kishte shkuar ndërmend për besë!»[4]
Pra, shqiptarët e vitit 1377, si njerëzit e thjeshtë ashtu dhe princat e tyre, pra sunduesit, paraqiten si njerëz të prapambetur, si një tribu afrikane e kohës, që nuk u ka shkuar kurrë ndërmend se mund të ndërtohen ura mbi lumenj (çuditërisht Kadare këtë gjë e ka theksuar në ribotimin e vitit 2004) dhe që habiten shumë kur këtë gjë ua thotë një udhëtar i huaj. Kur kjo gjë nuk është e vërtetë se ura janë ndërtuar në Shqipëri që në Antikitet. Pas shpjegimit të falltarit, shfaqen të dërguarit e kompanisë shumëkombëshe ndërtuese, që i propozojnë princit ndërtimin e urës:
«Shkurt ata ishin gati që për një kohë dyvjeçare të ngrinin një urë të gurtë mbi Ujanën e Keqe, të blinin tokën ku ajo do të mbështetej dhe t’i paguanin kryezotit taksë të rregullt të përvitshme nga fitimet që do të kishin prej saj... Shpjeguan se zoti i tyre nuk ishte as dukë, as baron, as princ, por ishte një pasanik, që kishte blerë kohët e fundit minierat e vjetra të serës, të braktisura qysh nga koha e romakëve dhe kishte blerë gjithashtu pjesën më të madhe të xhadesë, po aq të vjetër, të cilën kishte ndërmend ta ripërtërinte. Ai është pa titull, thanë ata, por ka para. Shumat e shënuara në letër ishin përrallore dhe të gjithë e dinin se financat e kryezotit tonë kohët e fundit ishin varfëruar... Kryezoti ynë nuk u mendua gjatë. Ai u tha atyre se e pranonte marrëveshjen dhe i dha urdhër sekretarit të vet ta hidhte atë në letër, në gjuhët shqip dhe latinisht».[5]Ky paragraf jepet i pandryshuar edhe tek ribotimi.[6]
Kështu, Ismail Kadare e paraqet dhe kompaninë ndërtuese sipas modelit të një kompanie shumëkombëshe kapitaliste të shekullit XX, që merr koncesione në vendet e varfra, duke korruptuar elitat sunduese, për të shfrytëzuar popujt. Ismail Kadare i paraqet gjërat sikur kjo është ura e para e gurtë që është ndërtuar në Shqipëri: «Ura qenë ndërtuar herë pas here gjithandej, por s’mbahej mend që ndonjëra prej tyre të kishte bërë kaq bujë... Dhe kjo ndodhte kështu, sepse të gjitha ato kishin qenë ura të drunjta, kurse kjo që do të ngrihej, do të ishte një urë e vërtetë prej guri, me harqe e kalldrëm të fortë sipër, ndoshta e para e këtij lloji në gjithë dheun e Arbrit».[7]Ky paragraf paraqitet i pandryshuar dhe tek ribotimi i fundit.[8]
Por ura janë ndërtuar shumë kohë para shekullit XIV në Shqipëri, që në Antikitet, aq më tepër me tre harqe, është lloji më i thjeshtë i urës. Këto i ndërtonin mjeshtërit lokalë, dhe nuk ishte nevoja të vinin të huaj për t’i ndërtuar. Edhe kur urat ndërtoheshin me urdhër të sunduesve të huaj - të tilla janë ndërtuar që në kohën e pushtimin romak, ato i ndërtonin vendasit. Atëherë pse Kadare thotë që në Shqipërinë e vitit 1377 pothuajse nuk kishte asnjë urë guri? Kjo është një tezë shumë e mbrapshtë e Kadaresë, pasi fqinjët serbë dhe grekë kanë pretenduar se shqiptarët nuk kanë qenë popull ndërtues. Por popuj ndërtues janë popujt e qytetëruar, sedentarë, ndërsa jondërtues janë popujt e paqytetëruar, nomadë. Kjo do të thotë se shqiptarët nuk kanë qenë një popull i qytetëruar. «Ura me tri harqe» i shërben shumë mirë propagandës serbe, për shqiptarët si popull jondërtues, pra i paqytetëruar dhe nomad. Si mund të pretendojmë ne shqiptarët se kemi qenë në këto troje në shekullin XIV,po të pranohet ideja e Kadaresë se në këtë shekull në Shqipëri pothuajse nuk kishte asnjë urë të gurtë të thjeshtë, me tri harqe? Dhe pastaj këtë njeri ne e kemi shpallur «Nderi i Kombit»?!
Kadare në novelë i përshkruan përshtypjet e shqiptarëve nga fillimi i punimeve për ndërtimin e urës nga kompania e huaj, si ato të afrikanëve të shekullit XIX, kur shikonin kolonizatorët që ndërtonin një urë: «Njerëzit ndienin një gëzim që asaj, Ujanës së Keqe, që i kishte munduar aq shumë, do t’i vinin më në fund një kllapë guri përsipër. Por tamam kjo gjë, bashkë me gëzimin edhe i frikësonte. Një mushke xanxare s’ishte e lehtë t’i vije një samar sipër, pale Ujanës së Keqe. Oh, do të shohim, do të shohim si do të vejë puna, thoshin ata».[9]Ky paragraf gjendet i pandryshuar dhe tek ribotimi.[10]
Kështu siç i përshkruan Kadare, këtyre njerëzve kuptohet që nuk u ka shkuar kurrë ndërmend që të ndërtojnë vetë një urë të tillë. Pas fillimit të punimeve, nis lufta e egër mes dy kompanive shumëkombëshe. Kadare shkruan se përfaqësuesit e kompanisë së lundrimit u ankuan tek princi: «‘Lundra dhe trape’ ishte kundër ndërtimit të kësaj ure, sepse ajo dëmtonte rëndë interesat e shoqërisë. Dhe këtu s’ishte fjala se dilte jashtë përdorimit trapi mbi Ujanën e Keqe. Jo, ishte diçka më e madhe. Dëmtohej gjithë sistemi i transportit ujor, që bëhej me anë të lundrave, trapeve dhe maunave qysh prej kohëve që s’mbaheshin mend dhe që tani ishte përqendruar në duart e ‘Lundra dhe trape’... I porsaardhuri tha se kjo urë guri do të ishte fatkeqësia e parë, e hedhur brutalisht mbi frymën e lirë të ujërave (pikërisht kështu u shpreh ai). Pas kësaj priteshin të tjera. Dhe nga të gjitha këto pranga të neveritshme që po u viheshin sipër ujërave, sikur ato të ishin të dënuara, s’pritej veçse ndonjë gjëmë e madhe».[11]
Këtu Kadare i paraqet gjërat sikur këta të huaj i flasin princit shqiptar me gjuhën që europianët kolonizatorë të Afrikës u flisnin krerëve të tribuve, kur donin t’i bënin të dëmtonin hekurudhat dhe urat që ndërtonin kolonizatorët rivalë. Një princi shqiptar të vitit 1377 një i huaj nuk mund t’i folte me këtë gjuhë. Princat shqiptarë mesjetarë ishin njerëz të shkolluar, që kishin pasur si mësues privatë murgj të dijshëm të shkolluar në Perëndim, dhe këta princa kishin kancelari si ato të homologëve perëndimorë. Në rast se dikush do t’u fliste me këtë gjuhë një princi shqiptar në vitin 1377, ky i fundit do të jepte urdhër ta shtronin në dru, që po tallej me të. Por kjo bisedë nuk kishte gjasa të ndodhte se princat shqiptarë i ndërtonin vetë urat me tri harqe, pa qenë nevoja t’i kujtonin të huajt për këtë gjë. Princi shqiptar paraqitet në novelë si një prijës tribuje afrikane që është në dilemë se ofertën e cilit kolonizator duhet të zgjedhë:
«Megjithëse për një çast u duk sikur po mëdyshej, ishte e vështirë që kryezotit tonë t’i kthehej mendja kollaj. Shuma e parave që i kishin premtuar njerëzit e tokës, ishte më e madhe se gjithë përfitimet nga ujorët...
- Jo, - tha ai më në fund, - për urën le të mos flasim më. Ajo do të ngrihet».[12]Ky paragraf jepet i pandryshuar dhe tek ribotimi.[13]
Atëherë fillon lufta mes kompanisë ndërtimore dhe asaj lundruese, ose siç i quan Kadare, rrugorët dhe ujorët. Ujorët përdorin legjendën shqiptare të murimit për të kamufluar sabotimin që iu bëjnë punimeve të urës, duke paguar një njeri, një vendas, Murrash Zenebishën, që të dëmtojë natën punimet e bëra ditën për ngritjen e urës, sa kohë që gurët dhe llaçi janë ende të palidhur mirë. Rrugorët e kapin këtë njeri dhe e ndëshkojnë duke përdorur të njëjtën legjendë, pra duke e muruar tek harku i dytë i urës. Kadare ve në gojën e murgut Gjon Ukcama këto fjalë, që ngjajnë me një tekst komunist të shekullit XX, që përshkruan luftën e dy koncerneve shumëkombëshe në një vend të botës së tretë: «Në duelin e tyre të egër të dy palët ‘Lundra dhe trape’ dhe rrugorët, përdorën gojëdhënën tonë. Të parët me anë të legjendës, parapërgatitën idenë e shkatërrimit të urës, të dytët, po me anë të legjendës, parapërgatitën vrasjen. Ata erdhën nga larg, të huaj të dy palët, një palë nga ujërat, të tjerët nga stepat, dhe të dy kishin me vete krimin. Duke marrë me duart e tyre prej llogaritarësh legjendën tonë, ata e ndryshuan atë pas shijes së tyre. I hoqën asaj të vërtetën e madhe sublime dhe vunë në vend të saj një mashtrim të zakonshëm. Askush nuk e mendoi në fillim se ç’sillnin me vete këta të ardhur, një palë nga perëndimi, të tjerët nga lindja».[14]
Në ribotimin e vitit 2004 Kadare ka bërë këto ndryshime në këtë pjesë të librit:
«Në kacafytjen e tyre të egër të dy palët ujorët dhe rrugorët kishin përdorur gojëdhënën e moçme. Të parët me anë të legjendës, parapërgatitën idenë e shkatërrimit të urës, të dytët, po me anë të legjendës, parapërgatitën vrasjen... Kishin ardhur nga larg, një palë nga ujërat dhe të tjerët nga stepat, për të kryer mu në sytë e botës diçka që, siç thoshte mbledhësi i tyre i dokeve, ende s’kuptohej se ç’ishte në të vërtetë: urë apo vrasje. Sepse ende nuk dihej se cila prej të dyjave do të mbetej më gjatë mbi tokë e cila do të gërryhej prej motesh. Vetëm pas kësaj do të merrej vesh se cila kishte qenë ngrehina e vërtetë: urë apo vrasje. Sepse ende nuk dihej se cila prej të dyjave do të mbetej më gjatë mbi tokë e cila do të gërryhej motesh. Vetëm pas kësaj do të merrej vesh se cila kishte qenë ngrehina e vërtetë dhe cila s’paskësh qenë veç skela, që ndihmoi për ndërtimin e saj, ose vjega që e përligji. Në vështrimin e parë dukej se gjithçka ishte e llogaritur prej ardhësve, por ndoshta edhe kjo s’ishte veç një pamje e sipërfaqshme e gjërave. Ndoshta ata vetë kujtonin se ngrinin një urë e, në të vërtetë, si në jerm, i bindeshin një urdhri tjetër, që as vetë s’e dinin nga iu vinte. E ne të gjithë, të përhënur njëlloj si ata, i kundronim të gjitha këto e nuk ishim në gjendje të përshquanim dot ç’kishim përpara: harqe të gurta, gëlqere, apo gjak... E kishin përdorur gojëdhënën e ringjallur krejt si armën e vjetur të gjetur rastësisht, për t’u prerë me njëri-tjetrin keq. Megjithatë ishte herët të thuhej se e kishin vënë vërtet në shërbim të tyre. Kishte qenë ndoshta ajo që i kishte shtënë në kurth, ua kishte errur mendjet, për t’i shtyrë pastaj në lojën e përgjakshme».[15]
Pra, siç shihet ndryshimet e bëra në botimin e vitit 2004, nuk e prekin thelbin e mendimit të autorit, në botimin e vitit 1978. Në botimin e vitit 1978 fjalia-kyç në paragrafin e cituar më lart është kjo: «Ata erdhën nga larg, të huaj të dy palët, një palë nga ujërat, të tjerët nga stepat, dhe të dy kishin me vete krimin». Në botimin e vitit 2004, kjo fjali jepet kështu: «Kishin ardhur nga larg, një palë nga ujërat dhe të tjerët nga stepat». Aluzioni pra është se «ujorët» janë të huajt që vijnë nga Perëndimi, nga deti: italianët, anglezët, amerikanët etj., ndërsa rrugorët ata që vijnë nga «stepat» janë lindorët. Në këtë rast të ardhurit nga stepat nuk janë turqit, se turqit në novelë dalin me emrin e tyre, dhe kompania ndërtuese nuk del si turke; turqit në shekullin XIV nuk vinin në Shqipëri për të ndërtuar, por për të shkatërruar. Atëherë del se të ardhurit nga stepat janë sllavët, të cilët Kadare i ve në një plan me të ardhurit nga Perëndimi, sikur të dy palët sillnin krimin dhe kobin. Unë e kuptoj se në botimin e vitit 1978 Kadare e ka paraqitur këtë ide për t’i bërë jehonë postulatit enverian të izolimit të Shqipërisë të rrethuar nga armiqtë perëndimorë dhe lindorë. Por nuk arrij ta kuptoj se Kadare, që ka bërë disa ndryshime në botimin e vitit 2004, nuk e ka ndryshuar këtë gjë.
Në këtë histori konti shqiptar, kryezoti i krahinës, del si kryemaskarai, pasi përfiton nga të dy palët dhe madje u sugjeron rrugorëve, që ta përdorin dhe ata legjendën si kundërshtarët e tyre, Konti u thotë përfaqësuesve të shoqërisë ndërkombëtare të ndërtimit të urave: «Në qoftë se kundërshtarët tuaj e përgatitën idenë e prishjes së urës me anë të një gojëdhëne, siç thatë vetë ju, atëherë përgatitni edhe ju idenë e ndëshkimit të fajtorëve në të njëjtën mënyrë, domethënë me anë të legjendës».[16]
Në ribotimin e vitit 2004 ky paragraf ka ndryshuar fare pak, duke ruajtur kuptimin: «Në qoftë se kundërshtarët tuaj e përgatitën idenë e prishjes së urës me anë të legjendës, siç thatë vetë ju, atëherë përgatitni edhe ju idenë e ndëshkimit të fajtorëve në të njëjtën mënyrë... domethënë...».[17]Kështu, sipas Kadaresë, princat shqiptarë nuk e kanë pasur mendjen të ndërtojnë vetë ura, qoftë edhe të thjeshta, por të bëjnë intriga të përgjakshme me tregtarët e huaj, duke mos treguar respekt as për traditën orale të vendit, me të cilën edhe këta princa ishin rritur.
Novela «Ura me tri harqe» është botuar në vitin 1978, si pjesë e përmbledhjes me novela me të njëjtin titull, pra është botuar në prag të prishjes me Kinën, në një kohë që prishja e afërt me Kinën kishte filluar të përgojohej gjerësisht në opinionin publik shqiptar. Regjimi i Enver Hoxhës e dinte se prishja me Kinën mund të shkaktonte një konfuzion edhe më të madh se prishja me sovjetikët, pasi tashmë Shqipëria e vogël do të mbetej krejt e vetme, pa asnjë mik të madh. Në atë kohë kishte njerëz që besonin se tashmë vendi do të afrohej me Perëndimin, si Jugosllavia, me të cilën në atë kohë marrëdhëniet qenë përmirësuar. Por regjimi e bëri të qartë se tash e tutje Shqipëria do të mbijetonte «duke u mbështetur në forcat e veta», pasi Lindja revizioniste dhe Perëndimi kapitalist qenë njëlloj të këqija dhe të rrezikshme për Shqipërinë.
Ismail Kadare, në novelën «Ura me tri harqe», e paraqiti këtë ide në mënyrë letrare, si një situatë historike të hershme, kur Shqipëria që në Mesjetën e hershme pati qenë e rrezikuar njëlloj si nga Lindja, ashtu dhe nga Perëndimi. Në novelën «Ura me tri harqe» ngjarjet zhvillohen në vitet 1377-1379, në një qytezë të Arbërit dhe novela është ndërtuar si rrëfim i murgut Gjon Ukcama, që mban kronikën e ngjarjeve. Në atë kohë ai sheh për Arbërin dy rreziqe, nga njëra anë agresioni i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër e keqja e Perëndimit, ku kanë filluar të shfaqen fillesat e kapitalizmit, si me thënë protokapitalizmi. Murgu Gjon Ukcama, në bisedë me konstruktorin e urës, që është i huaj, mëson se është duke lindur një rend i ri ekonomik në Europë: «Thelbi i bisedës së tij ishte ky: Sipas shenjave që ai kishte vënë re prej kohësh, në këtë pjesë të Evropës kishin filluar të ravijëzoheshin turbull, fare turbull, konturet e një rendi të ri, që do ta çonte botën shumë shekuj përpara. Këto shenja ishin hapja e bankave të reja në Durrës, shtimi i sarafëve çifutë dhe italianë, që këmbenin njëzet e shtatë lloje monedhash, pranimi pothuajse njëzëri i dukatit venecian si njëfarë monedhe ndërkombëtare, lëvizja përherë e më e dendur e karvaneve tregtarë, organizimi i panaireve dhe sidomos (o zot, ku e vendoste ai fjalën ‘sidomos’!), pra sidomos ndërtimi i rrugëve dhe i urave të gurta. E gjithë kjo lëvizje, thoshte ai, s’është veçse shenjë jete dhe vdekjeje njëkohësisht, shenja e lindjes së një bote të re dhe e vdekjes së botës së vjetër».[18]Ky paragraf jepet i pandryshuar dhe tek ribotimi.[19]
Është e vërtetë që në gjysmën e dytë të shekullit XIV në Itali lindën fillesat e kapitalizmit, me bankat, shtëpitë tregtare etj, fillesa këto që në dy shekujt e mëvonshëm do të përhapeshin edhe në Europën Qendrore dhe atë Veriore. Bregu lindor i Adriatikut, duke përfshirë Arbërinë, si të lidhur kulturalisht dhe ekonomikisht me botën italiane, u inkludua në këtë proces që në gjysmën e dytë të shekullit XIV. Ky qe një proces pozitiv për Arbërinë, pasi e bënte atë të qe pjesë e zhvillimit më të përparuar për kohën. Por, në novelë ky involvim pozitiv paraqitet si një e keqe. E keqja që vjen nga Perëndimi protokapitalist paraqitet me ndeshjen e dy kompanive, si me thënë shumëkombëshe, «Lundra dhe trape», si dhe të kompanisë që ndërton rrugët dhe urat. Konflikti i të dy këtyre kompanive zhvillohet përreth urës, të cilën njëra kompani kërkon ta ndërtojë dhe tjetra kërkon që ta prishë. Të dy kompanitë përdorin legjendën shqiptare të murimit për të kryer kundër njëra tjetrës atë që në gjuhën e sotme quhet cover action. Kompania «Lundra dhe trape» interesat e së cilës dëmtoheshin nga ndërtimi i urës, përdor një vendas, Murrash Zenebishën për të dëmtuar urën, në një mënyrë të tillë që të duket sikur këtë e kanë bërë orët e ujit që janë zemëruar nga ndërtimi i urës.
Murgu Gjon, na del si një aktivist komunist i çuar me makinën e kohës në Mesjetë, kur ai mediton kështu në bisedën me konstruktorin: «Tek flisnim ashtu si në përgjumje, befas ndjeva një dëshirë të marrë ta kapja nga jaka e pelerinës së tij, ta mbërtheja te këmba e urës dhe t’i thërritja mu në fytyrë: Ai rendi i ri që më flisje një ditë, ai rendi juaj i bankave e i përqindjeve që do ta çonte një mijë vjet përpara botën, ka gjak në themele, ashtu si rendi barbar dikur, si rendi i skllevërve, si rendi i sotëm i princave e zotërinjve. Ka gjak, veçse ai gjak rrjedh ndryshe, nëpër llogari, nëpër shifra. Më dëgjon, nëpër shifra. Llogaritë tuaja janë plagë të tmerrshme, përpara të cilave çarjet e heshtave e të sëpatave duken si gërvishtje kalamajsh. Mjerë bota që ju polli ju».[20]Ky paragraf jepet i pandryshuar dhe tek ribotimi.[21]Është për t’u habitur se Kadare e ka lënë këtë paragraf ku një murg i shekullit XIV flet si një kritik komunist i kapitalizmit, në shekullin XX, edhe në ribotimin e vitit 2004. Rreziku vjen nga Perëndimi (kapitalizmi që po lind) dhe nga Lindja (të ardhurit nga stepat dhe agresioni turk). Murgu Gjon shkruan: «Shpejtoj të shkruaj këtë kronikë, sepse kohët janë të turbullta, dhe e ardhmja është errur si asnjëherë tjetër. Pas ngjarjeve ngjethëse të urës njerëzit dhe ditët vërtet janë qetësuar disi, por diçka tjetër e zezë duket në horizont: shteti turk».[22]Ky paragraf jepet i pandryshuar dhe në ribotim.[23]Kështu, në librin e Kadaresë rreziku islamik osman barazohet me atë që vjen nga Perëndimi dhe që simbolizohet me konfliktin për urën?! Dhe këtë ide Kadare e ka dhe në vitin 2004?! E pastaj kritikon Rexhep Qosjen për antiperëndimorizëm dhe orientofili islamike!
Analogjia në novelën e Kadare është jo vetëm në situatë, por deri edhe në vite 1378-1978, pra viti ‘78. Kështu murgu mesjetar vihet në një situatë dhe mendime të ngjashme me ato që regjimi komunist i kohës kur shkruante Kadare kërkonte që të kishte çdo shqiptar: «Truallit të Arbrit i ra fati të ndodhet në udhëkryq të historisë, midis perëndimit dhe lindjes. Kthe kokën nga perëndimi dhe midis llogarive dhe përqindjeve të tyre do të shohësh gjak, kthe kokën nga lindja dhe gjaku skuq gjithë horizontin».[24]Ky paragraf është hequr tek ribotimi i vitit 2004. Është e qartë se Kadare e ka gjetur këtë paragraf me një gjuhë si tepër të shablloneve ideologjike të shekullit XX, që mund të tolerohej në botimin e vitit 1978, por jo në atë të tre dekadave më pas, duke konsideruar ndryshimet që kishin ndodhur në Shqipëri. Por problemi është se ky paragraf është kuintesenca e gjithë novelës së Kadaresë. Ose qëndron ky paragraf bashkë me novelën, ose fshihet edhe novela bashkë me këtë paragraf! Në lidhje me paragrafin e mësipërm duhet thënë së pari, se Arbëria e kohës qe pjesë e Perëndimit dhe murgu Gjon nuk ka pasë se si të hedhë sytë nga Perëndimi, pasi ai qe në Perëndim. Këtu Kadareja e krahason involvimin e Arbërisë në Perëndimin protokapitalist, si njëlloj katastrofal me agresionin turk. Por, nga involvimi i Arbërisë në procesin e lindjes së kapitalizmit, sikur Arbëria të mos përjashtohej nga ky proces prej okupimit turk, vendi jonë do të kishte pasë përfitime shumë të mëdha, duke u bërë një nga vendet më të zhvilluara të Perëndimit. Por pse e thotë Kadare këtë? Eh, pra, edhe Shqipërisë së vitit 1978 kur shkruante Kadare kështu i ra fati të ndodhet në udhëkryq të historisë sipas Enver Hoxhës, nëse shqiptarët do të kthenin kokën nga Perëndimi do të shihnin kapitalizmin mizor, të keqen e të cilit e parashikoi murgu Gjon që në vitin 1377, në breg të Lumit Ujana e Keqe, ndërsa në rast se do të hidhte sytë nga Lindja revizioniste do të shihte prapë të keqen dhe rrezikun. Por shqiptari i vitit 1978 nuk duhej të dëshpërohej, pasi ky qe fati historik i shqiptarëve dhe as shqiptari Gjon Ukcama në vitin 1377 nuk u dëshpërua. Shqipëria do të shkonte nga fitorja në fitore.
Në novelën e Kadaresë ura e përfunduar shihet nga vendasit si diçka pa kuptim dhe asaj nuk i afrohet kush: «Dielli që po perëndonte, përshkëndiste pjerrtazi harqet e saj dhe në ato çaste ajo ngjante me një ëndërr pa kuptim, të cilën po e ëndërrinin së bashku bregu i djathtë me bregun e majtë të ujërave. Ashtu e bardhë, e lënë prej tyre midis kohës, ajo ngjante krejtësisht e vetmuar».[25]Në ribotimin e vitit 2004 tek ky paragraf ka një ndryshim sinjifikativ: «Dielli që po perëndonte, përshkëndiste pjerrtazi harqet e saj dhe në ato çaste ajo ngjante me një ëndërr pa kuptim, të cilën po e ëndërrinin së bashku bregu i djathtë me bregun e majtë të ujërave. Ashtu e huaj, e lënë prej tyre midis kohës, ajo ngjante krejtësisht e vetmuar».[26]Pra, në botimin e vitit 2004, autori ka shtuar se ura u duket vendasve e huaj. Më tutje Kadare e bën murgun Gjon të thotë: «Po ngrysej. Ura ngjante e shkretë, e ftohtë. Dhe befas m’u duk se në atë shtrirjen e saj pak të përkulur, në harqet, në kamaret, në vetminë e saj, kishte një pritje. Ç’pret o e gurtë? Thashë me vete. Fantazma të largëta? Ushtri perandorake, zhurmë këmbësh anonime, që ecnin dhjetë, njëzet, njëqind orë rresht? E mallkuar».[27]Ky paragraf jepet i pandryshuar dhe tek ribotimi.[28]
Pra, shqiptarët e shikojnë urën si afrikanët tribalë një urë të ngritur nga kolonizatorët e bardhë. Në këtë novelë Kadare praktikisht i paraqet shqiptarët si «njerëz me bisht», ashtu siç na paraqesin autorët dashakeqë serbë. A mund t’i përgjigjen kësaj kritike që i bëj unë Kadaresë ithtarët e tij? Për ta kjo nuk ka rëndësi se ithtarët kokëboshë të Kadaresë i kanë veshët e zënë me dylllë për kritikat dhe nuk dijnë tjetër veçse të thonë se Kadare është një shkrimtar i madh që e lexon bota. Por se si e perceptojnë Shqipërinë dhe shqiptarët ata të huaj që i njohin ata nga librat e Kadaresë, kjo aq u bën ithtarëve të Kadaresë. Ismail Kadare ka thënë se ai nuk ka një kontratë me popullin e tij, për ndonjë gjë, pra Kadare mund ta fyejë popullin shqiptar, kombin shqiptar, ndërsa shqiptarët u dashkan ta quajnë «Nderi i Kombit»?!
[11] Ismail Kadare: «Ura me tri harqe», «Naim Frashëri», Tiranë, 1978, f. 20 dhe Ismail Kadare: «Ura me tri harqe», «Onufri», Tiranë, 2004, f. 25.





