Fillon lufta e masonerisë franceze dhe anglosakse në Tiranë




Nga Kastriot Myftaraj

    Në Shqipëri ka filluar një luftë e rrymave rivale të masonerisë ndërkombëtare. Këtë të jep të kuptosh vizita dhe deklaratat e Jean Michell Quillardet, Mjeshtrit të Madh të Grand Orient de France, organizata kryesore e masonerisë franceze. Grand Orient de France është organizata më e fuqishme masonike në Francë, dhe i përket grupit ateist të masonerisë ndërkombëtare, duke qenë dhe zemra e tij. Kjo organizatë është një rivale e përjetshme e masonerisë anglosaksone, me të cilën është armiqësuar që në vitin 1877, kur Grand Orient hoqi kriterin e besimit tek Zoti për pranimin e anëtarëve. Nga fjalët e Mjeshtrit të Madh Quillardet u mësua se sot kriter për t’ u pranuar në këtë organizatë masonike është ateizmi. Kjo u bë e qartë kur Quillardet, në intervistën që dha në emisionin «5 pyetje nga Babaramo», në Neës-24, kur u shpreh se masoneria është e nevojshme të ekzistojë për të garantuar laicizmin e shoqërisë, përkundër rrezikut të dominimit të klerikalizmit, paraqiti si një ndër rreziqet edhe shtimin e teorive antidarviniste. U mor vesh, frankomasoneria e Grand Orient e paska darvinizmin, pra ateizmin, princip të saj, pavarësisht se Guillardet deklaroi se në masoneri nuk ka doktrinë, dhe se ajo është një bashkim i mendjeve të lira. Por, del se është një bashkim i mendjeve që janë të lira të besojnë se njeriu e ka prejardhjen nga majmuni. Të gjitha organizimet shoqërore që kanë marrë si një nga premisat e tyre-bazë teorinë se njeriu e ka prejardhjen nga majmuni kanë përfunduar duke e majmunizuar njeriun. Komunizmi është prova më impresionuese për këtë gjë. Masoneria franceze e Grand Orient nuk mund të bëjë përjashtim. Që ajo është e aftë të prodhojë «majmunë» nga më të çuditshmit, kjo u pa dhe gjatë vizitës Mjeshtrit të Madhe, Quillardet.
    Njeriu që u entusiazmua më shumë nga vizita e tij, dhe që i bëri më shumë ditirambe masonerisë ishte Fahri Balliu. Është ironi e madhe se Fahri Balliu prej vitesh na është paraqitur më katolik se Papa, duke dalë si kampion i katolicizmit dhe si ithtar i De Gasperit, kur dihet se Vatikani dhe De Gasperi janë armiq posaçërisht të masonerisë të llojit të Grand Orient de France, për faktin se ky krah i masonerisë është armik i betuar i Kishës Katolike. Mjeshtri i Madh Quillardet e shprehu hapur armiqësinë e tij për katolicizmin në intervistën që dha në emisionin «5 pyetje nga Babaramo». Tashmë ata ipeshkvë katolikë që kanë marrë pjesë në tryezat e Fahri Balliut kanë detyrim që t’ i kërkojnë falje grigjës së tyre, dhe Arkipeshkvi, Imzot Rrok Mirdita, ka detyrimin që të japë shpjegime diku për atë që ka lejuar që Kisha Katolike në Shqipëri të implikohet me një njeri si Fahri Balliu. Fahri Balliu, si rrallë herë kohët e fundit, gjatë vizitës së Mjeshtrit të Madh Quillardet botoi një editorial në «55» ku i bënte lavdërimet më të mëdha masonerisë, dhe vizitës së Quillardet, aq sa De Gasperi duhet të jetë kthyer përmbys në varr. Fahri Balliu nuk mund të mos e dinte se Quillardet ishte njeriu i krahut ateist të masonerisë. Këtë e them jo se Fahriu di ndonjë gjë nga këto punë, por duke qenë se ai pyet Aurel Plasarin për këto gjëra, dhe ky i fundit i di shumë mirë. Pastaj Fahriu u sqarua dhe nga një artikull i Ardian Ndrecës, në gazetën «55», botuar një ditë më parë, ku katoliku i mirë Ndreca, që jeton në Romë, pranë Vatikanit, sulmonte ashpër masonerinë. Në editorialin e vet Fahriu polemizonte pa ia përmendur emrin me Ndrecën, duke e qortuar për sulmet ndaj masonerisë. Fahriu një shkrim si editoriali-hymn për masonerinë ateiste mund ta shkruajë vetëm nëse shikon se prej saj mund të nxjerrë fitime më të mëdha se ato nga Kisha Katolike. Me editorialin e tij Fahriu praktikisht bëri lutje për t’ u pranuar mason. Kisha Katolike nuk duhet të mërzitet që po humb një njeri si Fahri Balliu, madje duhet të lumturohet që atë po ia bën dhuratë masonerisë franceze. Fahri Balliu e meriton masonerinë ateiste franceze dhe kjo e fundit e meriton Fahriun. Ka gjetur tenxherja kapakun, si i thonë fjalës. 
    Një nga arsyet që Fahri Balliu hymnizoi masonerinë ishte se Mjeshtri i madh Quillardet u takua me kryeministrin Berisha dhe Presidentin Topi. Gjëja më interesante është se Mjeshtri i madh i Grand Orient nuk u takua me Edi Ramën. Pse Quillardet nuk u takua me kryetarin e opozitës dhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, kur ai takoi kryetarin e mazhorancës? Kjo sikur stonon me deklaratën e Quillardet se masoneria është një shoqatë që nuk bën dallime politike. Mjeshtri i Madh Quillardet, duke mos takuar Edi Ramën, praktikisht e tregoi me gisht këtë të fundit si anëtar të një tjetër krahu të masonerisë ndërkombëtare, asaj anglo-sakse, me lidhje të forta me krahun religjioz hebre. Siç thashë më lart, të dy krahët e masonerisë ndërkombëtare janë prishur që në 1877 për çështjen e besimit tek Zoti. Sot ato shprehin interesa të kundërta. Edi Rama është tërhequr në krahun anglo-saks të masonerisë nga Sorosi. Por edhe brenda krahut anglo-saks të masonerisë ka rryma të kundërta. Krahu anglo-saks i masonerisë ndërkombëtare duket se ka avancuar në Shqipëri duke krijuar llozhat e veta, si dhe organizata në orbitën e tyre, si Lëvizja «Mjaft». Masoneria franceze ateiste kërkon gjithashtu të avancojë në Shqipëri. Mjeshtri i Madh, Quillardet deklaroi se, me aq sa dinte ai, në Shqipëri nuk ka një llozhë masonike, por Grand Orient do ta mirëpriste krijimin e një llozhe të tillë, dhe se ishte gati ta asistonte atë. Është e qartë se Quillardet e kishte fjalën për një llozhë të llojit të masonerisë ateiste franceze, në orbitën e Grand Orient. 
    Mjeshtri i madh Quillardet erdhi në Shqipëri i ftuar nga ish-ministri i jashtëm Besnik Mustafaj, i cili duket se është bërë anëtar i Grand Orient kur ka qenë ambasador i Shqipërisë në Francë, në vitet 1992-1997. Kjo duhet të ketë qenë një nga arsyet që Mustafaj u largua nga posti i ministrit të jashtëm në prill 2007, kur u njoftua vizita e Presidentit të SHBA në Shqipëri. Presidentin e SHBA nuk mund ta priste një anëtar i Grand Orient, që është armike e betuar e SHBA. Mjeshtri i Madh, Quillardet takoi Berishën dhe Topin, për t’ i joshur ata në Grand Orient, duke qenë se ai kishte të dhëna të sigurta se ata nuk janë beniaminët e masonerisë anglo-saksone. Madje ka shumë gjasa që Sali Berisha të jetë bërë anëtar i Grand Orient, në kohën kur u prish me SHBA dhe u afruar me Francën, në vitet 1994-1997. Një nga vështirësitë e mëdha të Berishës për të siguruar mbështetjen amerikane pas vitit 1997, ishte dyshimi i amerikanëve se ai ishte njeriu i Grand Orient.
    Berisha dhe Topi, duke takuar Mjeshtrin e Madh të Grand Orient, sikur deshën t’ i çojnë një sinjal masonerisë anglo-saksone, që t’ i afrojë ata. Edhe në rast se Berisha dhe Topi kanë arritur që të afrohen masonerinë anglo-saksone, ata duket se janë të pakënaqur ngaqë Edi Rama është më lart se ata atje. Mjeshtri i Madh Quillardet, në intervistën e tij për Babaramon u shpreh se Shqipëria është terren pjellor për masonerinë. Në rast se është fjala për masonët që besojnë se njeriu e ka origjinën tek majmuni, ai ka shumë të drejtë, se këtu ka për të gjetur shumë majmunoidë, të cilët e shohin masonerinë si një parti të re, teserën e së cilës duhet ta marrin për të nxjerrë ndonjë fitim prej saj. Komunizmi e ka përgatitur këtë terren pjellor për masonerinë duke i edukuar njerëzit me darvinizëm, dhe të gjithë këtu e mbajnë mend sentencën e Engelsit «Roli i punës në shndrrimin e majmunit në njeri», që në Shqipërinë komuniste të punës së detyruar me pagesë minimale dhe pa pagesë, prodhoi humorin: Roli i punës në shndrrimin e njeriut në majmun. Duke takuar Berishën dhe Topin, Mjeshtri i madh mason francez, ka gjetur dy ekzemplarë të terrenit pjellor shqiptar për masonerinë. Berisha është mendërisht produkt i aplikimit ideologjik më të përbindshëm të darvinizmit, komunizmit. Ish-komunisti Berisha dhe masoni kapitalist francez, Quillardet, mund të bëhen vëllezër masonë, se ato që i ndajnë nuk janë asgjë para asaj që i bashkon, stërgjyshi majmun. Presidenti Topi nuk është më pak i përshtatshëm se ai ka si bazë intelektuale biologjinë darviniste, bindje që nuk duket se i është lëkundur kur si veteriner punonte me lopët dhe kuajt, dhe duhej t’ i lindte dyshimi se në rast se majmuni evouloi në njeri, pse atëherë nuk kanë evouluar lopët dhe kuajt në majmunë?
    Vizita e Mjeshtrit të Madh mason në Tiranë ka krijuar mes intelektualëve shqiptarë, apo më saktë atyre që në Shqipëri quhen intelektualë, një delir kolektiv si ai i firmave piramidale. Të gjithë duan të bëhen masonë se mendojnë që kështu e kanë rrugën e hapur për të bërë karrierë në politikë apo në administratë. Njerëzit kërkojnë të dijnë se kush e mori licencën për të hapur llozhën masonike në Tiranë, dhe kë do të ftojë. Se llozhën nuk do ta hapë ky, por do ta hapë ai. Se ky do të hapë llozhën e masonerisë franceze, ndërsa ai ka hapur llozhën e masonerisë anglosakse. Se këtu dominon masoneria anglosaksone amerikane, por se ajo franceze kërkon të marrë revanshin. Se masoneria anglo-saksone ka në Tiranë një llozhë ku dominojnë të majtët, kjo në sajë të Sorosit, çka ka sjellë pakënaqësinë e të djathtëve, të cilët po flirtojnë me masonerinë franceze, për t’ i bërë masonët anglosaksë të tregojnë më shumë vëmendje ndaj tyre. Se llozha anglo-saksone ka përgatitur spiunë për t’ i futur tek ajo franceze, ndërsa masoneria franceze i ka futur spiunët tek llozha anglo-saksone që para se të hapë llozhën e vet në Tiranë. Se listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhme do të ketë mazhorancë ndërpartiake masone. Kanë filluar shkëmbimet e batutave në kafene dhe sms, me ata që supozohet se kanë marrë të drejtën e hapjes së llozhës, si dhe kërkesat gjysmë me shaka, që mos t’ i harrojë miqtë.
    Një nga qendrat e preferuara të masonëve janë libraritë, të cilat ata pëlqejnë t’ i kenë nën kontroll, edhe për të kamufluar takimet e tyre të shpejta, por edhe për të ushtruar influencë intelektuale mbi njerëzit. Nuk duhet të jetë rastësi që Fahri balliu, i cili tashmë na doli publikisht si një ithtar i masonerisë franceze, hapi një librari të madhe me emrin «Kadare» në qendër të Tiranës, dhe ku imazhi i Kadaresë është vënë te hyrja e jashtme, në një gravurë që ka gjeometri simbolike masone. Duke ditur miqësinë që ka Fahri Balliu me Kadarenë, duket se është ky i fundit që e ka orientuar Balliun nga masoneria franceze. Lufta e llozhave masonike në Tiranë do të zhvillohet e nëndheshme, dhe shumë pak vetë do të dijnë se ç’ po ndodh. Në Tiranë na erdhi «Miladin Popoviçi» i masonerisë franceze, i dërguari i «Kominternit»-Grand Orient. Nga krahu tjetër i masonerisë ndërkombëtare, asaj anglo-saksone, nuk ka asnjë lëvizje të dukshme, çka nuk tregon mosinteresimin e saj për Shqipërinë, por faktin se ajo parapëlqen të veprojë në një mënyrë më diskrete. Konflikti ndërkombëtar rreth Kosovës, dhe fakti që Republika e Shqipërisë ka peshë në zhvillimet e ardhshme rreth Kosovës si «Piemont» potencial shqiptar, ka bërë që masoneria ndërkombëtare, si thyerje në prizmin e okultit, të qendrave ndërkombëtare publike të vendim-marrjes, të intensifikojë lëvizjet drejt Shqipërisë.