Nga Kastriot Myftaraj
«RENEA vrau në lavatriçe terroristin e Xhihadit»; «Dyshohej se do të hidhte në erë ambasadën amerikane»; «Egjiptiani Salah El-Sayed kërkohej nga CIA»; «Marinsat morën në mbrojtje Ambasadën amerikane në Tiranë». Këto tituj të një dossieri të «Gazeta Shqiptare», në 8-9 janar 2008, me autor gazetarin Artan Hoxha, i cili një ditë më parë e kishte analizuar këtë çështje në emisionin «Xhungël» në Neës-24, mund të ishin titujt e promovimit të një filmi komik për terrorizmin ndërkombëtar të llojit «Ëag the dog», por kurrsesi titujt që tregojnë një operacion antiteror të kryer në vitin 1998 nga SHIK, në bashkëpunim me CIA, dhe me të cilin edhe këto krenohen. Në mars 2004, drejtori i atëhershëm i CIA, George Tenet për herë të parë deklaroi para Komisionit të bashkuar të Kongresit dhe Senatit për hetimin e ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 se në gusht 1998 është arritur që të shmanget një atentat terrorist islamik ndaj selisë së ambasadës amerikane në Shqipëri. Atentati supozohej se ishte përgatitur si hakmarrje për arrestimin në Shqipëri në qershor- korrik 1998 dhe deportimin në Egjipt të katër militantëve islamikë, të cilët në Egjipt kërkoheshin nga drejtësia për terrorizëm. Tenet deklaroi në mars 2004 se atentati në Tiranë u parandalua në bashkëpunim me së paku tre shërbime sekrete të huaja, duke u nënkuptuar mes tyre dhe ai shqiptar. Por në rast se Tenet do të kishte dhënë detaje të llojit që tregon gazetari Artan Hoxha, dhe që duket qartë se kanë dalë nga dosjet e SHIK, apo SHISH, të kohës, me të cilin “Gazeta Shqiptare” kishte bashkëpunim të ngushtë, me siguri që do të kishte shkaktuar të qeshura në të dy dhomat e Kongresit dhe do të kishte bërë që Holliëud të bënte “Ëag the dog”-2.
Artan Hoxha thotë në emisionin televiziv dhe në dosjerin e vet në gazetë: «Arrestimi i egjiptianit Amoud Naxhi, militant i organizatës terroriste 'Xhihadi Islamik Egjiptian', gjatë një operacioni të përbashkët të agjentëve të CIA dhe Shërbimit Sekret Italian, në Torino, më 3 tetor 1998, i vuri në alarm diplomatët amerikanë në Tiranë. Gjatë marrjes në pyetje, egjiptiani dha informacione se ishte urdhëruar një sulm ndaj Ambasadës Amerikane në Shqipëri. Ai së bashku me dy persona të tjerë ishin ngarkuar nga kreu i 'Xhihadit Islamik Egjiptian' Ayman Al-Zavahiri, krahu i djathtë i sheikut të terrorit Osama Bin Laden, të organizonin sulmin ndaj përfaqësisë amerikane në Tiranë. I arrestuari i Torinos kishte qendruar për disa kohë në Shqipëri dhe ishte larguar për t’ i shpëtuar arrestimit dhe riatdhesimit drejt Egjiptit». («Gazeta Shqiptare», 8 janar 2008, f. 11)
Personi i arrestuar në Itali, për të cilin flet Artan Hoxha, në Shqipëri mbante emrin Osama Nasser Mustafa, ndërsa nom du guerre i tij në qarqet terroriste ishte Abu Omar. Ai do të konsiderohej anëtari i gjashtë i celulës së Tiranës, i Xhihadit Islamik Egjiptian, anëtarët e së cilës ishin arrestuar në qershor-gusht 1998 nga SHIK në bashkëpunim me CIA dhe ishin deportuar në Egjipt për t’ iu dorëzuar Mukhabarat-it, shërbimit sekret egjiptian. Abu Omar ishte larguar nga Shqipëria për të shkuar në Itali, një veprim i logjikshëm ky, se terroristët islamikë që supozohej se kishin ardhur në Shqipëri para vitit 1997, duhej të ishin larguar nga vendi në vitin 1997, pas largimit nga pushteti të Berishës dhe kreut të SHIK Gazidede, për të cilët u tha se u krijuan kushte të favorshme qytetarëve nga vendet islamike për të ardhur dhe qendruar në Shqipëri. E megjithatë heroi i kësaj historie, nëse mund ta quajmë kështu arabin fatkeq të ekzekutuar nga RENEA në tetor 1998, Salah El-Sayed, erdhi në Shqipëri në vitin 1998, siç shkruan vetë Artan Hoxha: «Egjiptiani Salah El-Sayed, i gjatë 169 centimetra, me një fizik të zhdervjellët, kishte ardhur në Shqipëri në fillim të vitit 1998, duke u paraqitur si veprimtar i fondacioneve arabe që merreshin me bamirësi. Ai ishte 28 vjeç, kërkohej për të paktën 25 krime në vendlindjen e tij dhe si një nga eksponentët më të rrezikshëm të 'Xhihadit' që drejtohej nga Aiman Al Zavahiri». («Gazeta Shqiptare», 8 janar 2008, f. 11)
Nëse largimi i Amoud Naxhi ishte i logjikshëm, si shpjegohet që kolegu i tij terrorist vazhdonte të ishte në Tiranë, në tetor 1998, edhe kur në Shqipëri kishte filluar një gjueti publike, e publicizuar shumë dhe në media, ndaj qytetarëve nga vendet islamike, të dyshuar si terroristë, dhe në qershor-korrik dhe në gusht ishin arrestuar dhe deportuar në Egjipt kolegët e tij të celulës së supozuar terroriste të Tiranës? Kur ai mund të largohej fare lehtë nga Shqipëria në atë kohë, me skafet që shkonin drejt Italisë, siç bëri miku i tij, Amoud Naxhi? Në një shkrim tjetër vitin e kaluar kam treguar se e ashtuquajtura celulë terroriste e Xhihadit Islamik Egjiptian në Tiranë, në fakt nuk ka ekzistuar, por ka qenë një sajesë si tragjikomedia e Rastanski Lozja, në mars 2002, ku policia maqedone vrau shtatë emigrantë klandestinë, shumica pakistanezë, që u paraqitën nga Ministria e Brendshme dhe shërbimi sekret maqedon si celula terroriste islamike e Al-Qaeda-s, në Shkup, e lidhur me UÇK, që do të bënte një atentat terrorist kundër Ambasadës së SHBA në Shkup. Këtë histori, për të cilën sot ish-ministri i brendshëm maqedon Ljube Boskovski është dënuar nga Gjykata e Hagës, e sajoi policia dhe shërbimi sekret maqedon, për të thënë gjoja se shqiptarët e Maqedonisë janë të lidhur me terrorizmin ndërkombëtar. Ato që ka thënë Artan Hoxha në emisionin televiziv dhe në gazetë, si dhe dëshmitë e ish-komandantit të RENEA që drejtoi operacionin, dhe të ish-kryetarit të SHIK, Fatos Klosit, në emisionin dhe dosjerin e Artan Hoxhës, për operacionin e tetorit 1998, të cilin unë e kam cekur vetëm kalimthi në artikullin tim të kaluar, e konfirmojnë përfundimisht teorinë time siç do të tregoj më poshtë.
Por le të mendojmë për një moment se Salah El-Sayed ishte më trim se Amoud Naxhi, me çka shpjegohet se ai qendroi në Tiranë, edhe në atë situatë shumë të vështirë për të. Ne mund ta pranojmë për më trim nëse duan Fatos Klosi, «Gazeta Shqiptare» dhe Neës-24, por nuk mund ta pranojmë për idiot se vetë ata na kanë thënë që ishte shumë i përgatirur si terrorist dhe shumë dinak. Atëherë si ka mundësi që ky terrorist ekspert bëri gabimin e mëposhtëm, që siç thotë Artan Hoxha: «Për ironi të fatit i kërkuari banonte në një vilë private afër selisë qendrore të Shërbimit Informativ Shqiptar».(«Gazeta Shqiptare», 8 janar 2008, f. 10) Për ironi të fatit, apo për ironi të antiterrorizmit të SHIK dhe CIA?! Se si është e mundur që në kulmin e gjuetisë shtetërore kundër shtetasve nga vendet islamike në Shqipëri, terroristi më i rrezikshëm islamik në vend, strehohet në një shtëpi pranë selisë qendrore të SHIK, çka bënte që zona përreth të ishte shumë e vëzhguar nga policia?! Dhe këtë njeri duan të na e shesin për ekspert të terrorizmit ndërkombëtar islamik! Por nuk mbaron me kaq! Shtëpia ku ai strehohej ishte shtëpia e vjehrrit të tij shqiptar, ku edhe banonte. Artan Hoxha shkruan: «El-Sayed krijoi lidhje dhe familje në Tiranë. Pak kohë pasi mbërriti në Shqipëri, ai u martua me vajzën shqiptare Etleva Aga, e cila në momentin e aksionit të RENEA-s ishte shtatzënë dhe priste një fëmijë nga egjiptiani... Qysh në momentin që u martua, El-Sayed u vendos në shtëpinë e vjehrrit, Halit Aga, një ish-oficer policie, që banonte në një vilë, me adresë 462i1, në lagjen nr. 20 të kryeqytetit, afër Oxhakut në 'Rrugën e Dibrës». («Gazeta Shqiptare», 8 janar 2008, f. 11) Por a mundet që, një shtetas egjiptian, që rri në shtëpinë e vjehrrit të vet shqiptar, në Tiranë, në kohën që në Shqipëri kishte filluar prej muajsh gjuetia e terroristëve islamikë, të ishte një njeri që kishte frikë se kjo gjueti kundër terroristëve të ishte një gjë që kishte të bënte me të. Minimumi që ai duhet të kishte bërë ishte që të ndryshonte vendbanimin, se sigurisht që vendi i parë ku do ta kërkonin atë ishte shtëpia e vjehrrit të tij, e cila do të vihej në survejim për ta kapur egjiptianin. Dhe pastaj duan të na e shesin për një terrorist profesionist shumë të përgatitur dhe të zgjuar këtë egjiptianin! Ish-komandanti i RENEA, Artan Didi, që drejtoi personalisht operacionin, thotë se nga njerëzit e CIA: «El-Sayed na u prezantua si rezident i grupit terrorist të Xhihadit Islamik që vepronte në Shqipëri dhe që kishte ardhur me misionin kryesor për të goditur Ambasadën Amerikane». («Gazeta Shqiptare», 9 janar 2008, f. 11) Por Didi nuk na shpjegon se si është e mundur që ky njeri bënte gafa të tilla që nuk i bën as një njeri që vepron veç mbi bazën e përvojës së filmave me terroristë! I vetmi ngushëllim për Didin është se edhe homologu i tij maqedon që vrau pakistanezët e mjerë në Shkup në 2002, nuk dinte t’ i shpjegonte gjëra të ngjashme, për të cilat eprori i tij Ljube Boskovsi gjithashtu nuk dha dot shpjegime jobindëse si i pandehur në Hagë.
Shpjegimi i Didit, Klosit dhe Artan Hoxhës për këto gafa të egjiptianit të etiketuar si terrorist profesionist, është se ai kishte gjetur një mënyrë që e bënte të ishte i sigurt se mund t’ i shpëtonte arrestimit edhe nëse policia kontrollonte shtëpinë e vjehrrit të tij. Egjiptiani kishte përshtatur si vend fshehjeje një... lavatriçe, ku futej brenda nga vendi ku futeshin rrobet. Kështu ai ishte i sigurt se do t’ i shpëtonte arrestimit. Artan Hoxha shkruan: «El-Sayed i trajnuar në kampet e Al Kaedas, ishte kthyer në një ekspert të maskimit. Ai kishte përshtatur një lavatriçe për t’ u fshehur. Lavatriçja nga jashtë dukej krejt në rregull duke të dhënë përshtypjen se ishte në gjendje pune. Aftësitë akrobatike të terroristit i kishin dhënë mundësinë të fshihej dhe në hapësira krejt të vogla, gati të pabesueshme».(«Gazeta Shqiptare», 8 janar 2008, f. 11) Por ky terrorist ekspert sigurisht që e dinte se sipas manualeve më të rëndomta policore, lavatriçja do të kontrollohej nga policia për të parë se mos ai kishte fshehur atje sende që lidheshin me veprimtarinë e tij, armë, lëndë shpërthyese, ose dokumente të organizatës terroriste. Si është e mundur që ky terrorist profesionist, që na e paraqesin si shumë të përgatitur, të zgjuar dhe dinak, të ishte aq naiv sa të besonte se policia kur të vinte për kontroll në shtëpi do të linte pa kontrolluar lavatriçen? Aq më tepër kur të gjitha mediat po thoshin se gjuetia e terroristëve islamikë në Shqipëri po bëhej në bashkëpunim me CIA-n? Fshehja në lavatriçe, në rast se ka ndodhur vërtet kështu, më tepër se veprim i një terroristi profesionist, ngjan të jetë veprim i një fakiri arab me qendrim në Shqipëri, që e kishte gjetur këtë mënyrë naive për të shmangur dëbimin e mundshëm nga Shqipëria, në një kohë që policia po i kapte dhe dëbonte një pjesë të madhe të shtetasve nga vendet islamike me qendrim në Shqipëri.
Madje, po të besojmë Hoxhën, në këtë mënyrë ai i kishte shpëtuar dy herë arrestimit. «Agjentët e CIA-s dhe të SHIK dështuan dy herë rresht brenda pak ditësh, për të arrestuar 28 vjeçarin Salah El-Sayed, i identifikuar si një nga eksponentët më të rrezikshëm të organizatës terroriste Xhihadi Islamik Egjiptian. Në të dyja rastet trupat e policisë të angazhuara për të finalizuar aksionin as që nuk e morën vesh se si u kishte ikur nga duart». («Gazeta Shqiptare», 8 janar 2008, f. 11) Epo merret vesh, nuk u shkoi ndërmend ta kërkonin në lavatriçe. Por pse nuk e kontrolluan lavatriçen se mos gjenin sende të tij. Kontrolli ka qenë i përciptë pikërisht për faktin se ata nuk e konsideronin egjiptianin si terrorist por si një njeri ndaj të cilit duhej bërë trajtimi rutinë i shtetasve nga vendet islamike, me qendrim në Shqipëri. Por SHIK dhe RENEA, së bashku me njerëzit e CIA, kishin vendosur që të organizonin një spektakël antiterrorist të llojit të Ljube Boskovskit, me hero kryesor këtë egjiptian të mjerë, i cili duhej të sakrifikohej për ta bërë të besueshme historinë e planit për atentat ndaj Ambasadës së SHBA në Shqipëri. Didi kujton: «Trupat RENEA u treguan të kujdesshëm jo vetëm për të shmangur ndonjë reagim të ashpër të terroristit, por edhe për faktin se bashkëshortja e tij ishte shtatzënë dhe mund të pësonte tronditje. Një tjetër problem ishte fakti nëse egjiptiani mund të kishte aktivizuar ndonjë bombë me sasi të madhe eksplozivi dhe të hidhte në erë, veten, familjen Aga dhe gjithë trupat speciale që kishin hyrë në banesë». («Gazeta Shqiptare», 8 janar 2008, f. 11)
Se sa të kujdesshëm u treguan forcat e RENEA, këtë do ta shohim më poshtë me dëshminë e vetë Didit. Por ajo që të bën përshtypje këtu është fakti se pretendohet që ishin të preokupuar për gruan shtatzënë të egjiptianit, kur disa muaj më pas, të njëjtët njerëz të RENEA, gjatë një operacioni në Berat, nuk hezituan të qëllojnë mbi një foshnjë, të marrë peng nga një kriminel i armatosur, që e mbante si mburojë njerëzore. Didi kujton për operacionin që drejtoi: «Ne u munduam ta nxjerrim nga lavatriçja por nisur nga pozicioni i ngushtë ku ishte nuk arritën t’ ia shikonim armën. Menduam që mund të kishte dhe ndonjë lëndë eksplozive në trup dhe mund ta aktivizonte. Prandaj u larguam dhe mbajtëm pak distancë. Në momentin që ai po dilte qëlloi që ishte me kurriz dhe nuk ia mbanim dot në kontroll duart. Atëherë duke gjykuar se nuk na kuptonte në shqip iu afrova dhe më afër duke e mbajtur nga supet për ta detyruar që të mbështetej me duar pas murit. Por në këtë kohë ai u kthye menjëherë sapo pati pak hapësirë për të lëvizur, dhe qëlloi me një pistoletë që kishte brenda kofshëve. Duke qenë se arma ishte tepër afër, unë u qëllova në gjoks dhe copat e barutit më dëmtuan në fytyrë e vetull. Duke qenë se ai mjedis ishte tepër i ngushtë, u tërhoqa dy tre hapa pas duke u lënë hapësirë grupeve mbështetëse që e neutralizuan».(«Gazeta Shqiptare», 9 janar 2008, f. 11)
Dhe këto guxon t’ i thotë ish-komandanti i RENEA, i specializuar si ekspert brenda dhe jashtë vendit, për kryerjen e operacioneve të tilla. Për këto operacione ka manuale për mënyrën se si kryhen dhe Didi vetë thotë se para operacionit u këshilluan nga ekspertë të CIA, që ishin të pranishëm edhe gjatë operacionit. Ashtu si veproi komandanti i RENEA mund të kishte vepruar vetëm një polic fillestar në komisariatin e Tepelenës apo të Pukës. Si guxoi Didi të zgjaste duart dhe ta kapte, kur vetë thotë se dyshohej që ai mund të kishte të imkorporuar lëndë shpërthyese dhe të bënte kamikazin. Ose ai mund të aktivizonte lëndë shpërthyese të vendosur në pjesë të ndryshme të lavatriçes. Njerëzit e CIA për këto raste kanë një arsenal të tërë mjetesh paralizuese, që nga ato elektrike dhe deri tek ato gjumëvënëse. Edhe RENEA dispononte mjete të sofistikuara neuroparalizuese të cilat mund t’ i përdorte. Ata mund ta kishin paralizuar egjiptianin dhe nxirrnin duke e hequr pjesën e sipërme të lavatriçes, gjë që mund të bëhej fare lehtë. Mënyra se si vepruan njerëzit e RENEA dhe SHIK është e habitshme, kur ata kishin urdhër ta kapnin të gjallë. Didi thotë: «Duhej të bënim ç’ është e mundur për ta kapur patjetër të gjallë, pasi ai ishte një arkivë lëvizëse që ruante në vetvete shumë informacione të rëndësishme për shërbimet sekrete». («Gazeta Shqiptare», 9 janar 2008, f. 11) Por nga mënyra se si kanë vepruar de l se më tepër se të gjallë e donin të vdekur! Dhe për më tepër na «u plagos» dhe komandanti i RENEA, sipas manualit të Asim Alikos, siç paraqitet në «Operacioni Zjarri» me Kreshnik Martinin, gjë që duket se u bë për t’ u thënë amerikanëve se pushteti i kohës se po sakrifikonte në luftën kundër terrorizmit.
Artan Hoxha shkruan se: «Aksioni për kapjen e egjiptianit të identifikuar me emrat Muhamed Omar Al-Said apo Salah El-Sayed përbën përballjen e parë dhe të vetme me armë zjarri të strukturave të sigurisë kombëtare të Shqipërisë me persona të identifikuar si terroristë islamikë të kalibrit ndërkombëtar». («Gazeta Shqiptare», 8 janar 2008, f. 10) Ndërsa drejtori i SHIK për kohën, Fatos Klosi kujton për operacionin: «Këtë mund ta quaj rastin më të vështirë që kemi patur në operacionet antiterror. Rastet e tjera kanë kaluar shumë thjesht». («Gazeta Shqiptare», 9 janar 2008, f. 11) Atëherë del se të gjitha operacionet kudnër terroristëve islamikë në Shqipëri, të bëra në vitet 1998-1999 në Shqipëri kanë qenë bufonada, derisa operacioni më i vështirë ka qenë vrasja e një egjiptiani të fshehur në një lavatriçe, në shtëpinë e vjehrrit të vet, në Tiranë! Artan Hoxha shkruan, sigurisht sipas atyre që i ka treguar Fatos Klosi: «Pavarësisht faktit se Salah El-Sayed nuk u kap i gjallë, eliminimi i tij ishte goditja më e ashpër që anëtarët e rrjetit terorist të Al-Kaeda-s morën në Shqipëri. El-Sayed mori me vete të gjitha informacionet, emrat e teroristëve dhe urdhrat që kishte marrë nga shefi i tij Ayman Al Zavahiri dhe Osama Bin Laden».(«Gazeta Shqiptare», 8 janar 2008, f. 11)
Përse u sajua gjithë kjo histori. Nuk duhet harruar se ishte koha kur kishte filluar lufta në Kosovë dhe ishte paralajamëruar fushata e NATO kundër Serbisë, që do të fillonte vetëm pas pesë muajsh nga vrasja e egjiptianit. Komandanti i NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë, në vitin 1999, gjenerali Wesley Clark thotë në kujtimet e veta se në Ëashington ka pasur një lobby të fortë që donte ta pengonte dhe më pas ta ndalonte fushatën ajrore të NATO kundër Serbisë. Gjenerali Clark thotë gjithashtu se Sekretarja e Departamentit të Shtetit Allbright, i thoshte atij që të tregohej i vëmendshëm, gjatë fushatës se ata (fjalën e kishte për qarqe në Washington) i janë vënë pas dhe duan ta kryqëzojnë. Gjenerali Clark thotë se ai nuk e pyeti se kush janë ata, se kjo iu duk një gjë shumë e trishtuar. Edhe vetë Allbright në kujtimet e veta flet për një lobby të fuqishëm në Ëashington që donte fillimisht të pengonte fushatën ajrore kundër Serbisë dhe më pas ta ndalonte. Ky lob është ende aktiv kundër angazhimit ushtarak amerikan në Kosovë.
Ajo që duhet ditur është se në prag të Luftës në Kosovë të viteve 1998-1999, dhe gjatë saj, ka pasur një sintoni, sigurisht jo të qëllimshme, por që ekzistonte në praktikë, mes këtij lobby dhe strategjisë serbe për të penguar një ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare kundër saj me rastin e Luftës në Kosovë. Beogradi e dinte mirë se dinamika e procesit represiv që po drejtonte ai prej vitesh në Kosovë, do të çonte në fund të fundit në një kryengritje të armatosur të shqiptarëve, të cilën Beogradi donte ta përdorte për të bërë spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë. Por në Beograd e dinin gjithashtu se në këtë situatë rrezikonin një ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare kundër Serbisë. Serbia kishte një strategji për ta penguar këtë ndërhyrje, që ishte përpunuar në dy linja, nga njëra anë duke u mbështetur në qarqet kundër ndërhyrjes ushtarake, në kryeqytetet perëndimore, si dhe në ndihmën e Rusisë, dhe në anën tjetër duke përdorur atë strategji që rusët do ta quanin "çeçenizim" dhe që e përdornin në Çeçeni. "Çeçenizimi" konsistonte në atë që konflikti të projektohet tek pala tjetër. Kështu rusët synonin, dhe në një masë të madhe ia arritën, që konfliktin ruso-çeçen ta projektonin tek vetë çeçenët, si konflikt mes tyre. Për Serbinë, në prag dhe gjatë Luftës në Kosovë të viteve 1998-1999, " çeçenizimi" konsistonte në rradhë të parë në atë që konflikti të projektohej në Republikën e Shqipërisë si një luftë civile mes palëve të kundërta politike, edhe me pjesmarrjen e palëve të kundërta politike të shqiptarëve të Kosovës, duke pasur kjo luftë ngjyrat e një rebelimi islamik, të ngjashëm me atë të Haxhi Qamilit, dhe të asistuar nga Al-Qaeda. Nëse krijohej një situatë e tillë do të thoshte që të bëhej e pamundur një ndërhyrje ndërkombëtare ushtarake kundër Serbisë, si dhe të eliminohej Shqipëria si bazë kryesore e infiltrimit të njerëzve dhe armëve për në Kosovë. Në revistën “Klan”, në nëtor 1998, kryetari i SHIK, Fatos Klosi deklaroi “Unë i kisha lajmëruar trazirat”, duke e pasur fjalën për trazirat e shtatorit 1998. Fatos Klosi u shpreh se SHIK kishte lajmëruar: “edhe që në mesin e muajit shtator do të kishte trazira në vend. Trazira që do të nisnin në Shkodër por që vrasja e Hajdarit i zhvendosi dhe krijoi terren në Tiranë”. (cituar sipas revista “Klan”, 22 nëntor 1998, f. 15) Por në vitin 2002, komisioni hetimor për veprimtarinë e SHIK (më pas SHISH) të kryesuar nga Fatos Klosi zbuloi se në vitin 1998 Fatos Klosi kishte paralajmëruar kryeministrin dhe Presidentin e Republikës se në Shqipëri ishte duke u përgatitur një kryengritje me ngjyrim islamik, në krye të së cilës ishte kryetari i PD, Sali Berisha. Në këtë paralajmërim thuhej se Berisha dhe PD mund të siguronin mbështetje nga grupet terroriste islamike që kishin infiltruar në Shqipëri. Pra, praktikisht opozita shqiptare shpallej në një dokument zyrtar pjesë e rrjetit terrorist ndërkombëtar të Bin Ladenit. Berisha mund të kishte treguar një prirje për t’ u afruar me vendet e pasura islamike kur ishte President (mbetet të shihet se sa u shkaktua kjo nga zhgënjimi për ndihmën ekonomike që priste për Shqipërinë nga Europa dhe SHBA), por as ai dhe as PD nuk kishin bindje jo prej radikalësh islamikë, por madje as bindje islamike. Një ngjarje që të dukej si kryengritje islamike në Shqipëri mund të ndodhte vetëm nëse inskenohej nga të tjerët, që ishin të interesuar për këtë gjë. Nëse në Shqipëri do të inskenohej një kryengritje islamike me prirje antiamerikane, atëhere nuk do të kishte ndërhyrje amerikane kundër Serbisë, me shkakun e pastrimit etnik serb në Kosovë. Kuptohet se ky skenar shkonte në dobi të serbëve dhe grekëve. Studiuesit britanikë James Petttifer dhe Miranda Vickers shkruajnë në librin e tyre «Çështja shqiptare: riformësimi i Ballkanit»: “Roli i Klosit këtu është interesant. Gazeta Sunday Times tradicionalisht ka patur marrëdhënie të mira me shërbimin e fshehtë anglez MI 6. Kjo çështje është kryesisht me interes për të ilustruar mbeturinat e lobit serb në MI 6”. (James Pettifer, Miranda Vickers: «Çështja shqiptare: riformësimi i Ballkanit», Shtëpia botuese «Bota shqiptare», Tiranë 2007, f. 464) Dhe më tutje, në librin e tyre shtojnë: «Duke çmuar thelbin e deklaratës së Klosit, është e rëndësishme të sjellim në mendje shkallën e lartë të ndikimit grek (po kështu dhe atij serb të shpërfytyruar) në SHIK dhe instanca kyçe të qeverisë së Tiranës». (James Pettifer, Miranda Vickers: «Çështja shqiptare: riformësimi i Ballkanit», Shtëpia botuese «Bota shqiptare», Tiranë 2007, f. 240) Këtu duhet thënë se Drejtori i drejtorisë së Kundërzbulimit në SHIK, që merrej me këto çështje, dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë erdhën në 1997 nga Greqia ku ishin emigrantë.
Për Shqipërinë në atë kohë CIA praktikisht ka qenë GCIA(GreekCIA) duke qenë se që nga viti 1996 në krye të CIA erdhi në fillim si nëndrejtor dhe një vit më pas si drejtor Jorgji Koka, alias George Tenet, me origjinë nga Qeparoi i Himarës, i cili e mban veten për grek, vorio-epirot dhe është anëtar i POAKA (Panepirotic Federation of America, Canada and Australia). Në vitin 1978 Tenet u bë drejtor kërkimesh i American Hellenic Institute, në faqen në internet të së cilit thuhet se është themeluar në 1 gusht 1974, duke pasuar invazionin e Turqisë në Qipro, për të cilin pretendohet se u bë me furnizime amerikane dhe me dhunimin e ligjeve dhe marrëveshjeve amerikane. Pra, instituti është një qendër nacionaliste greke në SHBA. Prej kësaj pedane është lançuar në karrierën e vet Tenet. Si i tillë Tenet sigurisht që ishte proserb gjatë luftës në Kosovë, pasi Serbia është aleatja më e madhe e Greqisë. Prandaj shpirti i Tenet e donte që të krijoheshin rrethana që SHBA mos të ndërhynin ushtarakisht në luftën e Kosovës kundër Serbisë. Rrethana më e përshtatshme për këtë ishte shndrrimi i Shqipërisë në një arenë të veprimit të terrorizmit islamik. Këtë situatë do ta krijonte tërheqja e terroristëve ndërkombëtarë islamikë në Shqipëri, në vitin 1998. Ironia e madhe është se, në vitet 1997-1999 kur në SHBA-të vendoseshin bazat e terrorizmit islamik që do të bënin atentatet e 11 shtatorit 2001, CIA jepte alarmin dhe ishte shumë e okupuar me mbikqyrjen dhe zhdukjen e të ashtuquajturave baza të terrorizmit islamik në Shqipëri, që praktikisht nuk u bënë kurrë aktive. Nga hetimet e bëra pas atentateve të 11 shtatorit doli se në qershor 1998 degët në SHBA të fondacionit islamik Al-Haramain, që u tha se ishte qendra e celulës terroriste islamike në Shqipëri, kishin mbledhur 30 milion dollarë amerikanë ndihma për Al-Qaeda të Bin Ladenit, që i kishin transferuar jashtë vendit. Po atëherë CIA ishte e zënë me mbikqyrjen e degës së këtij fondacioni në Shqipëri?! Pyetja është: A planifikuan segmente të CIA-s të vorio-epirotit Tenet në 1998 një operacion të bazuar në strategjinë e tensionit në Shqipëri, në interes të Greqisë dhe të Serbisë? Strategjia e tensionit, term që është bërë i njohur gjatë erës së terrorizmit në Italinë e pas Luftës së Dytë Botërore, nënkupton krijimin e një situate të favorshme për t’ u kryer veprime terroriste, në mënyrë që vendi të futet në një kaos të kalkuluar, dhe që pastaj të vendoset diktatura.
Përgjigjia për këtë pyetje është: duket se kishte një skenar që, për të shmangur një ndërhyrje të paralajmëruar amerikane kundër Serbisë me rastin e një lufte në Kosovë (“vija e kuqe” e deklaruar nga Presidentët Bush dhe Clinton), të krijohej një situatë që Republika e Shqipërisë dhe Kosova të shiheshin si rrezik për SHBA, duke marrë lufta e shqiptarëve të Kosovës një ngjyrim islamik dhe duke u krijuar në Republikën e Shqipërisë një situatë sikur kishte filluar një luftë me ngjyrim fetar, e shkatuar nga forca proislamike, të lidhura me terrorizmin islamik ndërkombëtar. Duket se për disa njerëz, jo vetëm në Beograd, Athinë, Moskë, por për fat të keq edhe në Ëashington, nuk ka qenë asfare një gjë e tmerrshme që fushat ajrore e NATO kundër Serbisë të shmangej me kosten e një atentati kundër Ambasadës së SHBA në Tiranë, të ngjashëm me atentatet e gushtit të atij viti në Kenya dhe Tanzani, që do të kishte sjellë vdekjen e qindra marinsave që ishin atëherë në resortet e saj në Tiranë. Atëherë pse nuk u godit Ambasada e SHBA në Tiranë? Kjo ndodhi se ata që duhej ta menaxhonin atentatin, e kuptuan se veprimi i tyre mund të zbulohej, pasi e gjithë historia po bëhej e dyshimtë dhe ata po linin shumë shenja të lojës së tyre.
Historia e egjiptianit të vrarë në lavatriçe është paraqitur me ndryshime në romanin e një shkrimtari francez, të botuar në vitin 1999, ku ai del me emrin Mohamad Al-Jafari. Në vjeshtën e vitit 1998, Fatos Klosi kishte në selinë e SHIK në Tiranë një mik special nga Parisi, shkrimtarin Gerard DE Villiers, antiamerikan që nga koha e luftës së Vietnamit, të bërë të njohur për librat e veta të serisë SAS, me personazh kryesor agjentin e CIA-s, Malko Linge, të cilin atë vit De Villiers kishte vendosur ta sillte në Shqipëri, ku do të zhvilloheshin ngjarjet e librit të rradhës të De Villiers, që do të tregonte për shndrrimin e Shqipërisë në arenë lufte mes amerikanëve dhe terroristëve islamikë. Në libër përshkruhet operacioni i CIA-s kundër terroristëve islamikë në Shqipëri, në vitin 1998, në bashkëpunim me SHIK. Sipas traditës së De Villiers si pikënisje shërbejnë ngjarje reale. Në libër tregohet me vërtetësi historia e rrëmbimit dhe e deportimit nga CIA në bashkëpunim me SHIK, të celulës terroriste islamike egjiptiane të Tiranës, si dhe përshkruhet operacioni për kapjen e një terroristi tjetër, që paraqitet si Hasan Mohamad Al-Jafari, ish-shefi i shërbimeve sekrete sudaneze, njeri i rrjetit terrorist të Bin Laden dhe për të cilin në libër pretendohet se ka ngritur rrjetin e Bin Laden në Shqipëri, ku kamuflohej si llogaritar në Fondacionin Al-Haramein. Al-Jafari paraqitet me të gjitha të dhënat e El-Sayed, që nga martesa me një femër shqiptare në shtëpinë e së cilës në Tiranë ai banon dhe ku´edhe shkojnë ta kërkojnë njerëzit e SHIK, tek synimi për të hedhur në erë Ambasadën e SHBA dhe koha kur zhvillohen ngjarjet, shtator-tetor 1998. Romani ka interes se tregon se pjesën e skenarit që mbeti pa u zbatuar. Në libër Al-Jafari bashkëpunon me një nga krerët e UÇK-së, i paraqitur si kolonel Jakub Pedrorika, që paraqitet si njeriu përgjegjës në shtabin e UÇK, për furnizimin e saj me armë, dhe që financohet nga Al-Jafari me paratë e Bin Laden. Personazhi kryesor i librit është kryetari i shërbimit sekret shqiptar, Fatos Klosi, i cili paraqitet me emrin e vërtetë, si një njeri që është i përkushtuar në luftën kundër terroristëve islamikë dhe që simpatizon kristianët ortodoksë. Al-Jafari përgatit një atentat kundër ambasadës amerikane në Tiranë, në bashkëpunim me njerëzit e kryetarit të opozitës shqiptare, Sali Berisha, që në libër paraqitet me emrin e vet të vërtetë, saktësisht me shefin aktual të truprojeve të Berishës, që në libër paraqitet me emrin Britan Mata. Në libër paraqitet sigurisht heroi SAS i De Villiers, Malko Linge, i cili punon për të kapur Al-Jafarin para se ky të arrijë të bëjë atentatin. Ngjarjet zhvillohen në shtator-tetor 1998 dhe sipas atyre që tregohen në libër, i bie që të fillojnë në 22 shtator 1998.
Në libër gjërat ndodhën ashtu siç i pëlqente Serbisë, mikes së Francës, pra se UÇK ishte një lëvizje e lidhur me rrjetin terrorist të Bin Laden dhe financohej prej tij, se në Shqipëri Berisha dhe partia e tij ishin të lidhur me rrjetet terroriste të Bin Laden, se Fatos Klosi është burri më i mirë në Shqipëri që lufton terrorizmin islamik, por që nuk ka se çfarë të bëjë pasi kryeministri Nano është tolerant me Berishën e lidhur me radikalët islamikë. Në libër tregohet se Al-Jafari arrin ta kryejë atentatin kundër ambasadës amerikane, me anë të shefit të rojeve të Berishës, që godet selinë e ambasadës me një kamion të mbushur me lëndë shpërthyese, duke shkaktuar vdekjen e 20 amerikanëve, mes të cilëve ishin njëmbëdhjetë marinsa, si dhe shefi i stacionit të CIA-s në Tiranë. Kjo pjesë e librit duket se është një ushtrim i fantazisë së autorit mbi prognozën e Klosit se opozita e kryesuar nga Berisha do të bënte një kryengritje islamike në Shqipëri, duke filluar që në shtator 1998. Në fund Hasan Muhamad Al-Jafari vritet nga Malko Linge, ndërsa shefi i rojeve të Berishës vritet gjatë atentatit. Nuk thuhet se ç’ ndodhi me Berishën, por mund të merret me mend se ai duhet të jetë arrestuar si terrorist islamik. Nuk përjashtohet mundësia që ata që po përgatiteshin të inskenonin një kryengritje islamike në Shqipëri, të bënin dhe atentatin ndaj ambasadës amerikane në Tiranë, duke i sjellë gjërat në atë mënyrë që në vendin e ngjarjes të gjendej ndonjë nga njerëzit e afërt të Berishës në mënyrë që skenari të bëhej i besueshëm.
Libri i Gerard De Villiers doli në janar të vitit 1999, në kulmin e luftës në Kosovë, para Konferencës së Rambujesë, dhe u bë fill një asset i propagandës serbe. Historia e Al-Jafarit është një spekulim për të cilin turpi i mbetet Klosit që priti De Villiers-in, se ish-shefi i shërbimeve secrete sudaneze nuk ka qenë në Shqipëri në kohën e luftës në Kosovë. Njerëz të këtij niveli në hierarkinë e terrorizmit islamik ndërkombëtar, nuk dalin në Europë. Në personazhin e Al-Jafarit është bashkuar historia e një islamiku të huaj që u vra në Tirasnë në gusht 1998 në shtëpinë e vjehrrit të vet shqiptar, si dhe ajo e një shtetasi të huaj, i akuzuar si terroristi islamik që u vra në Tropojë, në vjeshtën e vitit 1998, nga njerëzit e CIA-s, por që kurrsesi nuk ishte i një niveli kaq të lartë sa pretendohet në libër. Kur Tenet raportonte para komisionit nacional në Washington për rreziqet e supozuara që kaloi ambasada amerikane në Tiranë, në 1998, duke thënë se ato ishin shmangur në bashkëpunim me shërbimet sekrete partnere, ai nuk bëri të ditur se një nga këto shërbime partnere, shërbimi sekret shqiptar SHIK, siç u u zbulua nga hetimet e një komisioni hetimor parlamentar në Shqipëri, në 2002, e kishte përdorur atmosferën e alarmit nga infiltrimi i terroristëve islamikë në Shqipërinë e vitit 1998, për të ndërtuar një plan me bazë strategjinë e tensionit, për të bërë ndryshime të dhunshme në lidershipin politik të kohës në Shqipëri duke nxjerrë nga politika, madje duke i eliminuar fizikisht, Fatos Nanon dhe Sali Berishën, kryeministrin dhe kryetarin e partisë në pushtet dhe kryetarin e opozitës, si dhe duke asgjesuar krejt partinë më të madhe të opozitës në Shqipëri.
Historia e vrasjes së egjiptianit El-Sayed u mbyll për shtetin shqiptar kur në 24 shkurt 1999 prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Agim Çekrezi pushoi çështjen penale nr. 2371, me arsyetimin e forcat e policisë kanë vepruar në kushtet e nevojës ekstreme. Se është vepruar në kundërshtim me të gjitha manualet e antiterrorizmit, të njohur nga RENEA, prokurorit as i ka shkuar ndërmend të hetojë. Por kjo çështje penale duhet të rihapet sot se ajo është po aq e qartë sa historia e “terroristëve islamikë” të Shkupit të vrarë në 2002 dhe të cilët gjoja donin të bënin atentat ndaj Ambasadës së SHBA në Maqedoni. Hapja e çështjes së egjiptianit të pafajshëm të vrarë në 24 tetor 1998 në Tiranë, ka shumë rëndësi se zbulon forcat që manipulojnë zhvillimet në trojet shqiptare në dy anët e kufirit. Fakti që “Gazeta Shqiptare”, Klosi etj., merren edhe sot pas 10 vjetësh me këtë çështje, tregon se ata janë të trembur se mos zbulohet e vërteta.





