Nga Kastriot Myftaraj
Në vitin 2003, kur opozita e atëhershme ngriti një komision hetimor parlamentar për abuzimet e Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës, dhe paraqiti shumë akuza ndaj tij, Edi Rama, gjeti si mënyrën për të mirë për të zhvlerësuar akuzat që të mbulonte ndërtesën e Bashkisë së Tiranës me banderola të mëdha prej letre, ku ishin shkruar gjithë akuzat e bëra për të nga opozita. Duket se të njëjtën mënyrë ka zgjedhur Edi rama për të zhvlerësuar efektin e bërjes publike të faktit se ai është nipi ilegal i Ahmet Zogut. Prandaj Edi Rama ftoi në takimin e mbajtur për përvjetorin e FRESSH, Princin Leka II, kushëririn e tij të parë, ose më saktë djalin e xhaxhait. Por me këtë familja mbretërore u bashkua pas shumë vitesh, në të gjithë elementët e saj, si ata legalë, ashtu dhe ata ilegalë, dhe Edi Rama praktikisht u njoh nga familja mbretërore si Princ Edi. Kështu Leka Zogu, i vjetri, e njohu Kristaq Ramën për vëlla, dhe Edin për nip.
Prania e Princit Leka në takimin e FRESSH nuk mund të jetë bërë për të mbështetur pretendimin që shprehu Edi Rama për një bashkim të ri nga e majta tek e djathta, se në sallë mungonin së paku dy ish-kryetarë të FRESSH, Ilir Meta dhe Gjergj Koja, nga të cilët i pari është dhe kryetari i partisë më të rëndësishme aleate të PS. Pra, prania e Princ Lekës nuk mund të justifikohet me idenë e bashkimit të ri, kur praktikisht takimi tregoi përçarjen e së majtës. Në takim Princ Edi tregoi dhe një anekdotë kundër Berishës me një irlandez, një francez, një gjerman dhe një shqiptar. Por ka dhe një anekdotë të ngjashme, ku takohen katër monarkistë nga vende ku është rrëzuar monarkia, një grek, një rumun, një italian dhe një shqiptar. Këta bisedojnë dhe thonë se çelësi për të rikthyer monarkinë është të kenë mbështetjen e së majtës. Pastaj tregojnë se ç’ po bëjnë për këtë. Greku thotë se mbledhin fakte kompromentuese për krerët e së majtët. Italiani thotë se bëjnë për vete dashnoret e tyre, ndërsa rumuni thotë se kërkojnë t’ i blejnë me para. Shqiptari thotë se ne e kemi zgjidhur shumë më thjeshtë: Një nip ilegal i mbretit tonë është bërë kryetari i së majtës. Të gjithë ranë dakord se monarkistët shqiptarë ishin para tyre.
Artan Lame, sigurisht me urdhër të Edi Ramës, për të shuar përshtypjen e keqe që bëri tek të majtët prania e Princ Lekës në takimin e FRESSH, u mundua që t’ ia kalojë përgjegjësinë kryetares të FRESSH, Megi Ajtyresës. Të pasnesërmen e takimit, Artan Lame botoi në gazetën «Shqip» artikullin me titull «Ç’ na bëre», të cilin e fillon kështu: «Eh moj Megi ç’ na bëre! Më hoqe gjithë gazin e festës, se festë e vërtetë ishte përvjetori i FRESSH-it, tek e shihja sallën të mbushur plot të rinj. E në mes të atij gëzimi, më erdhi rrufe në qiell pare, përshëndetja jote për atë që ti, kryetarja e FRESSH-it, e quajte 'Princi Leka' dhe që na e kishe ftuar në festën e socialistëve të rinj. Mbeta pa fjalë dhe si unë mbenë pa fjalë dhe shumë të tjerë aty në atë sallë, mbenë pa fjalë edhe mijëra të tjerë jashtë sallës, kur e dëgjuan lajmin në lajme apo e lexuan në gazetë». (gazeta «Shqip», 17 janar 2008, f. 9) Kur lexon këto rreshta nuk mundet mos të mbetesh pa fjalë kur mendon se sa idiotë kërkon ti bëjë ky Lamja lexuesit dhe socialistët, duke dashur t’ i bëjë të besojnë se Princi Lekë u ftua pa dijeninë apo më saktë urdhërin e Edi Ramës, dhe madje Megi e përshëndeti atë me titullin Princ, pa dijeninë e këtij të fundit! Socialistët duhet të mbeten pa fjalë kur i trajton kështu nr. 3 i partisë, se Lame me organizimin e ri të PS, në cilësinë e sekretarit të Asamblesë është nr. 3 pas Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit. Princin Lekë e ftoi Edi Rama dhe këtë e bëri edhe për të njëjtën arsye që pranoi vërtetësinë e fotografive nudo.
Është shumë zbavitëse kur Lamja i drejtohet Megit: «Ja më thuaj ti, a do ta ftoje Lekën po të mos ishte nip i Zogut? Natyrisht që jo, se në këtë rast ai do të ishte një i panjohur mes të panjohurve dhe ti as që do ta kishe parë ndonjëherë, pra i bie që e ftove se është nipi i Zogut. E sheh pra sa e koklavitur qënka kjo punë?» (gazeta «Shqip», 17 janar 2008, f. 9) Nuk merret vesh nëse ky njeri që shkruan kështu është bufon nga natyra, apo e kanë detyruar që të bëjë bufonin. Por pse duhet t’ i shkonin në mendje Megit të vogël këto mendime. Sigurisht që asaj nuk i kanë shkuar ndërmend as në ëmdërr ato. Këto kanë dalë nga mendja e Edi Ramës. Dhe puna është më e koklavitur se ç’ thotë Lame, dhe tashmë «nyja gordiane» që u krijua mund të pritet vetëm me një test genetik krahasues mes Edi Ramës dhe Princ Lekës, të dhënat e të cilit të bëhen publike. Tash këtë Edi Rama ua ka detyrim socialistëve dhe veteranëve. Titulli më i saktë i artikullit të Artan Lames do të ishte «Eh mor Edi ç’ na bëre!» Dhe se përse e bëri Edi këtë gjë, shpjegimin mund ta japë vetëm psikiatri. Ajo që bëri Edi është mazokizëm (kur i bën keq vetes, e kundërta e sadizmit) politik. Nuk është e rastit që Princi Lekë u ftua në në takimin e FRESSH në kohën që Edi Rama po shfaq një humbje të kontrollit të mendjes së vet me gjeste e ngritje zëri të pakontrolluara. Gjithsesi, sikur të ishte gjallë Fan Noli do t’ i rishkruante kështu për Edi Ramën dy satirat e tij në vargje për Ahmet Zogun, «Kënga e Salep-Sulltanit» dhe «Sulltani dhe kabineti».
Një mexhlis të madh na çeli,
Megi Ajtyrese Izraeli
Me Princ-llokum na veli,
si kofini pas të vjeli.
Edhe Lame teveqeli,
si Osman Gazepi ngeli.
Proçkave të Edit u rri si fshesa,
i faturon te Ajtyresa.
Siç bënte Gazepi faqe aristokracisë
Kur rrinte Kristaqi në gjunjët e Naltmadhnisë.
Ç’ na bën kjo Princesha Sanije,
i sjell mbretit çunin e shoferit- s’ i ka hije.
Fyt’ i Braçes po pëllet
Top’ i Namikut po kërcet:
Ç’ është ky sheqer-kësmet
Edin e pamë fis-mbret
Dhe pluhuri vete-vjen
Erioni na mbërthen
«Mjaft» për lot na mallëngjen
Rreth konopit me legjen.
Koço Shekulli ndërtimtari
Nis një valle palikari,
Se me një ferman kusari
Tendera po merr firari.
Dhe Rexhepi faqe ndërron
Dje shante sot lëvdon
Fryn bulçit e trumbeton
Se katrani zbardhëllon.
Dhe sarhosh-pseudoveterani
Dehet siç e do mejdani
Bërtet: Rroftë Naltmadhnia,
në djall vaftë Përmet mavria.
Seç na u gëzua xhani
thotë legalist-zogolliani.
Seç na u hutua berishiani
Rroftë pra Salep-Sulltani.
Mbani vesh o milet i majtë,
Sulltan-Salepi po flet qartë.
Të majtës po i bën revizionizëm,
doli me monarkosocializëm.
Shokë, sot kam panair,
Shokë, bëmëni sehir,
sillni kupat e gostisë,
sillni pluhurin e Kolumbisë.
Thithja e parë jam socialist,
thithja e dytë jam monarkist,
thithja e tretë çpall dekret
Ve kurorë e jam mbret.
Jam Ahmet Qopeku i Dytë
Qen si unë s’ u kanë zënë sytë
Pra kur leh duartrokitni
Zbrasni fishekzjarre, brohoritni.
Jam partia e jam shteti,
jam media e jam biznesi,
jam xhehnemi e jam xheneti.
Do më shihni sa të vijë pushteti.
Jam burgu e jam gjykata,
jam rruspa e jam sëpata,
jam bodrumi e jam zullumi
kush ngre kokën e merr lumi.
Kush do të majtë e socializëm
Me statut e idealizëm,
E ka pisk e zbohet si horr,
me dajak si tradhëtor.
E nisa me partinë
Dhe ju solla prokopinë
Tani do ndjek dinastinë
Siç e kam trashëgiminë.
Ah që s’ jetoi dhe pak Kristaqi,
të më bënte monument hutaqi.
Ashtu si ma do rangu mbretëror,
me kalë dhe me kurorë.
Shkruaj ti o bash-qatip
Shkruaj mprehtë e me tertip
Lidhi llomotitë e mia
Shkrepi nesër te bashkia
Do kujtojmë Pezë e Përmet
Natë të bardhë-çlirim çdo vjet
Dhe dëshmorët mos e pyet,
por ta dini unë jam mbret.
Ty Gramoz domuz evlat
Ty të bënj vezir xhelat
Lith litar dhe mpreh sëpatë
«Var e therr» por pa shamatë.
Bjeru e preji kundërshtarët,
si të fundmët dhe të parët
Se ma prishën qetësinë
Ma çkallmuan partinë
Ty Sokol Top-gazetar,
në propagandë të bëj të parë.
E që të kesh shumë qelepire,
për taksat gruan ta bëra vezire.
Ti Eduard vezir-kusar,
mbushe thesin euro e dollarë.
Sillma plot se Gonxhja pret,
merr dhe ti sa për adet.
Hisen mos e mbaj më në dyshek,
se pastaj s’ ka qysh e tek.
Po ta morën femrat dhe një herë,
mos m’ u shfaq më në derë.
Ty trim me nam, o Adnan,
të bëj të parë në veteranë.
M’ i ver në rresht ata truthatë,
se më duhen për elektorat.
Dhe mba’ vesh këtu o pusht,
me ata ndero me grusht.
Por kur vjen në zyrat e mia,
krahun në gjoks si te Naltmadhnia.
Ty o Erion sevda,
ty të bëj Këzllar-aga.
Ti haremin ma mbush,
«Mjaft» me çuna shegë e rrush.
Xhan mos u çudit me mua,
sill dhe ndonjë grua.
Sa të mbyllim gojët e liga,
që s’ pushojnë u rëntë pika.
Ty o Ben, o intelektual,
në betejë të dua si kal’
m’ u bëj si Ekrem Spahija,
ndryshe ik nga partia.
S’ të duron Naltmadhnija
Se shkëlqen vec mendje e tija.
Nuk më duhet më think tanku
Se më erdhi Ledi Shamku.
Ti o Pandi, o fëmijë shteti
Qesh se të doli kismeti.
Një vend Naltmadhnia ta jep
Me Lamen bëni një «Osman Gazep».
Dhe ty Megi të kam në listë,
të bëj të parë në eurosocialistë.
Por mëso çdo të thotë kjo fjalë,
që në sy mos të kem halë.
«Eurosocialist» ka kuptim,
të bëjmë euro pa pushim.
Sa për socialistët do mësosh,
e kanë vendin mu në kosh.
Ty Rexhep o shkencëtar,
në oborr të kam pjestar.
Me mu s’ të gjen si me Tosin,
do të mbaj si Lalë Krosin.
Monarkosocializmi fillon tani,
me mua si shoku Naltmadhni.
Kush të dojë të rrijë tek stalla,
të tjerët tek doktor Rrumpalla.
Po në Pezë s’ më ze gjumi,
se kam frikë: më merr lumi.
Se mos më soset kandili,
dhe më vjen «7 prilli».





