Buxheti i Bankës së Shqipërisë-2008, vjedhje legale e parave të shqiptarëve, ose «Sezami» i Ali Baba Fullanit dhe klanit të tij




Nga Kastriot Myftaraj

    Nëse do ta përcaktojmë në mënyrën më të saktë buxhetin e Bankës së Shqipërisë, që ajo miraton çdo vit me anë të Këshillit Mbikqyrës, për shpenzimet e saj, ai do të përcaktohej më mirë me atë historinë nga përrallat e Një mijë e një netëve, kur shefi i hajdutëve, Ali Babai, thoshte frazën «Sezam hapu!» dhe para syve të habitur të hajdutëve hapej faqja e malit dhe dilte thesari nga i cili ata merrnin sa të donin dhe përsëri nuk mbarohej. Veç se në rastin e Bankës së Shqipërisë nuk është fjala për një përrallë, por për një histori të vërtetë që ndodh larg syve të shqiptarëve, për shkak të mungesës së transparencës së Fullanit, dhe tolerimit që i bëjnë atij qeveria dhe opozita. Nëse do të shikoni në buxhetin e Bankës së Shqipërisë zërin «shpenzime personeli», nuk mund të mos u krijohet përshtypja se Fullani ka ecur me parimin «Sezam hapu!» kur me marionetat e tij të Këshillit Mbikqyrës, ku është kryetar, ka caktuar si fond për pagat e personelit për vitin 2008, shumën prej 516.000.000 lekë të reja, që së bashku me fondin rezervë prej 36.000.000 lekë të reja shkon në 552.000.000 lekë të reja. Ky është fondi për pagën neto dhe këtu nuk përfshihet derdhja e shumës për sigurime shoqërore, që është e parashikuar më vete, në masën 72.000.000 lekë të reja. Banka e Shqipërisë ka një personel të përgjithshëm prej rreth 500 vetësh. Kuptohet që me këtë shumë që është ndarë për pagat e tyre, ata do të paguhen në mënyrë përrallore për standardet e Shqipërisë.
    Por, si të mos mjaftonte kjo, Ali baba Fullani ka thënë edhe një herë «Sezam hapu!» për të kënaqur klanin e tij të hajdutëve dhe në buxhetin e vitit 2008 është parashikuar për shpërblimet e personelit një fond prej 163.000.000 lekë të reja, që së bashku me fondin rezervë prej 7.050.000 lekë të reja, shkon në 170.050,000 lekë të reja. Dhe si të mos mjaftonte kjo është parashikuar dhe një fond tjetër për shpërblime suplementare në masën 9.600.000 lekë të reja. Pra, gjithsej fondi i shpërblimeve për vitin 2008 shkon në 179.650.000 lekë të reja. Ky fond shpërblimesh u ndahet rreth 500 punonjësve të Bankës së Shqipërisë, duke marrë sigurisht «pjesën e luanit» Fullani dhe klani i tij i «40 hajdutëve». Aq i madh sa ç’ është fondi i shpërblimeve, ai fare mirë mund të ishte fondi i pagave për punonjësit e bankës së Shqipërisë, dhe ata të merrnin paga të mira për standardet shqiptare. Sikur nga fondi i pagave të Bankës së Shqipërisë, të nxirrej dhe fondi i shpërblimeve, atëherë fondi prej 179.650.000 lekë të reja i parashikuar për shpërblime mund të përdorej për të ngrohur të gjitha shkollat e Shqipërisë ku në dimër fëmijët mësojnë duke u dridhur nga të ftohtit. Fullani dhe të vetët e dijnë rëndësinë e ngrohjes derisa kanë parashikuar 18.600.000 lekë të reja, shpenzime për ngrohje dhe ndriçim, duke e bërë ngrohjen sigurisht me kondicionerë.  
    Por si të mos mjaftonin këto, Ali baba Fullani, ka thënë edhe një herë tjetër «Sezam hapu!», që në gjuhën burokratike në të cilën është shkruar buxheti i Bankës së Shqipërisë, përkthehet në frazën «kompensime dhe ndihma financiare». Nuk është ironi e vogël që, pasi për punonjësit e Bankës së Shqipërisë është caktuar një fond kaq i madh pagash dhe shpërblimesh, të ketë nevojë dhe për kompensime dhe ndihma financiare. Por ja që kështu është. Në buxhetin e vitit 2008 janë parashikuar dhe 8.800.000 lekë të reja për ekskursione! Sikur nuk i paguajnë dot vetë paratë për ekskursione punonjësit e bankës me pagat dhe shpërblimet e mëdha që marrin! Por, sikur mos të mjaftonte kjo në buxhet janë parashikuar dhe 6.500.000 lekë të reja që justifikohen si «shpenzime të tjera të njëjta, festa». Pra, 15.300.000 lekë të reja janë parashikuar për ekskursione, festa, dhe gjëra të tjera të ngjashme. Me kaq para mund të ndërtohej një pallat ku të strehoheshin familjet e policëve të vrarë në përballjet me kriminelët dhe i kanë lënë familjet pa shtëpi. Do t’ ia vlente që skota e Fullanit të mos bënte një vit orgji me paratë e shqiptarëve dhe të bëhej një gjë e tillë, që do të rriste dhe moralin e policëve që përballen me krimin, të cilët do të binden se shteti kujdeset për ta.
    Pothuajse të gjithë punonjësit shtetërorë në Shqipëri, përballojnë shpenzimet familjare për lindje, dasma, e vdekje, me paga e shpërblime shumë më të vogla se ato të kolegëve të tyre të Bankës së Shqipërisë. E megjithatë Ali baba Fullani ka thënë edhe për këtë çështje «Sezam hapu» dhe në buxhetin e vitit 2008, janë parashikuar 8.500.000 lekë të reja për «lindje-martesa-vdekje». Uroj që punonjësit e Bankës së Shqipërisë të kenë gëzime në familje, si lindje (edhe pse ka fjalë se me ardhjen e e Fullanit dhe të klanit të tij, një pjesë e këtyre lindjeve e kanë zanafillën në zyrat e bankës), uroj të martohen ata që janë pa martuar, dhe të kenë sa më pak vdekje në familje, por me pagat dhe shpërblimet që marrin, duket e tepërt që të kenë dhe shpërblime të tilla shtesë.
    Por kjo nuk është e gjitha. Fullani nuk pushon së thëni «Sezam hapu», duke parashikuar në buxhet dhe 14.000.000 lekë të reja që justifikohen si «kompensim ushqimi». Për ç’ kompensim ushqimi bëhet fjalë, me pagat dhe shpërblimet që marrin punonjësit e Bankës së Shqipërisë? Kësaj i thonë vjedhje e legalizuar. Fullani ka thënë edhe një herë «Sezam hapu!» dhe ka parashikuar në buxhetin e vitit 2008 shumën prej 12.458.000 lekë të reja për «shpenzime sporti». Se punonjësit e Bankës së Shqipërisë, pasi kanë marrë paga dhe shpërblime të mëdha, si dhe janë ushqyer nga buxheti i bankës, duhet dhe të merren me sport me shpenzimet e bankës. Njeriu kur shikon se këta njerëz bëjnë ekskursione me shpenzimet e bankës, festa me shpenzimet e bankës, sport me shpenzimet e bankës, nuk mundet që mos të pyesë se kur dreqin e gjejnë kohën këta njerëz për të punuar? Para disa ditësh, kryetari i PS Edi Rama pas një turi jashtë Tiranës, solli mes të tjerash problemin e një fshati në Martanesh që ka dy vjet pa energji elektrike. Problemi i këtij fshati do të ishte rregulluar me një pjesë të parave që Banka e Shqipërisë do të harxhojë për shpenzime sporti në vitin 2008. Këtë e them se Edi Rama e ka ndërtesën e Bankës së Shqipërisë përballë selisë së partisë, e megjithatë nuk është kujtuar kurrë për abuzimet e Fullanit.
    Ali baba Fullani ka thënë «Hapu sezam» edhe për zërin  «bordi/shpenzime/mbledhje/honorare», për të cilin në vitin 2008 janë parashikuar 21.294.000 lekë të reja. Këtu futen shpërblimet dhe honoraret që marrin anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, që miratojnë buxhetin e bankës, duke filluar nga vetë Fullani, që është ex officio kryetar i Këshillit Mbikqyrës. Kështu ata do të miratojnë të bindur gjithçka që u propozon Fullani. Për vitin 2008, në buxhetin e Bankës së Shqipërisë janë parashikuar 40.000.000 lekë të reja për «shpenzime udhëtimi biznesi jashtë vendit». Kjo shumë duket e ekzagjeruar aq më tepër kur dihet se Fullani dhe klani i tij që drejtojnë bankën janë njerëz mediokër pa kualifikime shkencore, dhe që nuk kanë ç’ bëjnë jashtë vendit, veç turizëm të paguar nga taksapaguesit shqiptarë, që ua mundëson Fullani duke thënë dhe këtu «Hapu Sezam». Në buxhetin e vitit 2008 janë parashikuar 10.000.000 lekë të reja për «shpenzime udhëtimi biznesi brenda vendit». Nuk merret vesh se për çfarë bëhen gjithë këto shpenzime për udhëtime brenda vendit, kur ata që shkojnë me shërbim i kanë makinat e bankës, kanë dhe kompensimin e ushqimit, të parashikuar më lart, dhe përgjithësisht kthehen brenda ditës nga këto lloj udhëtimesh. Këto janë rastet kur Fullani thotë «Sezam hapu!» në mënyrë legale, për të kënaqur klanin e vet në bankë, por edhe punonjësit, që ta ngrenë në qiell atë, si guvernatorin më të mirë që ka pasur banka, edhe pse është pa asnjë kualifikim shkencor.
    Por në buxhet gjenden dhe truket burokratike me të cilat Ali baba Fullani justifikon abuzimet që bën duke thënë «Sezam hapu!» për vete dhe klanin e vet, në mënyrë ilegale. Ali Babai i përrallës thoshte thjesht «Sezam hapu» dhe i hapej thesari me të cilin mund të bënte ç’ të donte. Ali baba Fullani ka vetëm një ndryshim me të, se duhet të lodhë pak mendjen për të gjetur truke burokratike me të cilat të justifikojë paratë që ka marrë nga banka, me anë të abuzimeve, duke thënë «Sezam hapu!» për klanin e vet. Në buxhetin e bankës ky mekanizëm abuzimet është ngritur në zërat si «lëndë djegëse e karburant» për të cilat parashikohet të shpenzohen në vitin 2008 23.488.000 lekë të reja, në zërin «mirëmbajtje dhe riparime ndërtesa» për të cilin në 2008 do të shpenzohen 20.303.000 lekë të reja, mirëmbajtje dhe riparime makineri pajisje, për të cilat në 2008 do të shpenzohen 41.070.000 lekë të reja, mirëmbajtje dhe riparime mjete transporti, për të cilat do të shpenzohen në 2008, 10.413.000 lekë të reja, apo mirëmbajtje dhe dhe riparime të tjera (sisteme informatike) për të cilat në 2008 do të shpenzohen 41.617.000 lekë të reja. Të gjitha këto shpenzime që janë rritur shumëfish, që nga koha kur erdhi Fullani (këtë do ta provoj në një shkrim tjetër) Ali baba Fullani i bën me anë të miqve të vet, të cilët i sjellin fatura të fryra, si dhe shpërblimin nën dorë.
    Një mënyrë e Ali baba Fullanit për të marrë para në mënyrë abuzive nga banka që drejton, sipas parimit «Sezam hapu!» është duke parashikuar shpenzime të fryra në zërin «shpenzime për shërbimet e kryera nga të tretët». Këtu hyjnë 18.160.000 lekë të reja të parashikuara në buxhetin e vitit 2008 për shpenzime qeraje. Ky shpenzim është bërë i nevojshmë se janë marrë me qera ndërtesa për zyra, gjë që është bërë e nevojshme, se Fullani ka shtuar në mënyrë abuzive personelin dhe departamentet e Bankës së Shqipërisë, për të kënaqur miqtë e vet, sipas parimit «Hapu Sezam». Në zërin «shpenzime për shërbimet e kryera nga të tretët» janë parashikuar dhe shpenzime që përcaktohen si «shpenzime të tjera të njëjta (paga të tjera)», në shumën 12.273.000 lekë të reja, gjë që duket një shumë mjaft e fryrë, për këtë përcaktim evaziv. Në zërin «shpenzime publikimi dhe anëtarësime» janë parashikuar të shpenzohen në 2008 41.408.000 lekë të reja «shpenzime për botime». Me aq botime sa bën Banka e Shqipërisë kjo shumë duket mjaft e fryrë. Për «gazeta e revista» në 2008 janë parashikuar të shpenzohen 6.309.000 lekë të reja. Sigurisht që këtu futen dhe gazetat e revistat e huaja të specializuara, por kjo shumë duket megjithatë e fryrë, aq më tepër që guvernatori Fullani, me gjithë këtë literaturë shkencore, nuk arrin do të marrë një kualifikim shkencor. Duket se më shumë lexojnë policët në sportelet rreth bankës, se guvernatori.
    Të tjera shpenzime të parashikuara duket qartë se janë kamuflim i abuzimeve, si 1.200.000 lekë të reja të parashikuara për «shpenzime të vogla, dhurata», ose 6.985.000 lekë të reja, të parashikuara për pritje, dhe 1.965.000 lekë të reja të parashikuara për t’ u shpenzuar për «filmime e fotografime»?! Dhe si të mos mjaftojnë këto, në zërin «Të tjera shpenzime administrative», pas shpenzimeve të parashikuara për honorare, udhëtime, dhurata, pritje, filmime e fotografime, shtohen dhe 16.266.000 lekë të reja, me justifikimin: shpenzime të tjera të njëjta (të ndryshme). Me të vërtetë njeri me humor administrativ ky Ali baba Fullani!
    Për vitin 2008 në buxhet janë parashikuar të shpenzohen 10.968.000 lekë të reja për «pajisje zyre me vlera të vogla». Por shuma delk tepër e madhe, aq më tepër për gjëra të tilla janë shpenzuar shuëm dhe vitet e kaluara! Një tjetër mënyrë e Ali baba Fullani për të vënë në lëvizje mekanizmin ilegal «Sezam hapu!» është duke parashikuar në buxhet shpenzime të fryra në zërin «shpenzime amortizimi», që arrijnë për vitin 2008 në 366.725.000 lekë të reja. Nga këto, 42.067.000 lekë të reja janë parashikuar për ndërtesat, 72.405.000 lekë të reja për instalimet teknike/ makineri e pajisje pune, 11.718.000 lekë të reja për pajisjet e zyrave, 17.579.000 lekë të reja për mjetet e transportit. Nëse do të bëhej një kontroll për mënyrën se si janë shpenzuar këto para, do të dilte se pjes më e madhe e punës është bërë vetëm në letër. Është e qartë se buxheti i bankës së Shqipërisë për vitin 2008 është vjedhje legale dhe ilegale e parave të shqiptarëve. Por Fullani hesht për këto fakte, se atë nuk e ngacmon as qeveria dhe as opozita, dhe se strategjistja e tij e marrëdhënieve publike, i këshillon të veprojë sipas parimit: hesht, hesht se gjithçka do të kalojë!