Berisha, në një analizë të personalitetit




Nga Kastriot MYFTARAJ


       
Sali Berisha lindi në 1944, në një vit përmbysjeje historike për Shqipërinë, kur vendi hyri në erën komuniste. Asgjë në realitetin shqiptar nuk simbolizonte më tepër diskrepancën me llojin e shoqërisë, ku sipas Marksit dhe Engelsit duhej të ndërtohej komunizmi, shoqëri urbane dhe industriale, se fshati ku lindi Sali Berisha në Tropojë, në një mjedis shoqëror fisnor.
        Rritja e Sali Berishës eci paralelisht me ballafaqimin mes komunizmit, kësaj force të re, që po përpiqej të modelonte dhunshëm shoqërinë shqiptare, dhe mjedisit shoqëror fisnor ku lindi Berisha. Kjo përplasje i ngjan asaj që ndodh, nëse një qendër e fuqishme graviteti shfaqet befas dhe ushtron presion mbi gravitacionin e një sistemi trupash qiellorë. Bota, ku lindi Sali Berisha ishte e ndërtuar si sistem i fisit dhe bajrakut, me gjakun e përbashkët si gravitacion, që e mbante të lidhur sistemin. Pushteti komunist u shfaq si një qendër e re gravitacioni, që filloi të ushtrojë një presion në rritje për ta shpërbërë këtë sistem tradicional.
        Kështu, Berisha lindi dhe u rrit në një mjedis të dyfishtë dhe kjo gjë krijoi tek ai një personalitet të dyfishtë. Në kohën, që u rrit Sali Berisha, komunizmi ende nuk e kishte filluar realisht ofensivën kundër kësaj bote fisnore, atë do ta bënte në vitet gjashtëdhjetë, kur Sali Berisha tashmë jetonte në Tiranë. Sa kohë Sali Berisha jetoi në fshat, atje ishte praktikisht e paprekur struktura fisnore dhe ekonomike, duke qenë se nuk ishte bërë kolektivizimi i tokave, kullotave dhe bagëtive. Gjithashtu, vazhdonte të funksiononte për inerci moduli tradicional i socializimit, edukimit të brezave të rinj, ashtu siç ishte bërë që nga kohërat që nuk mbaheshin mend.
        Ky modul i kultivonte Sali Berishës së vogël në mesin e shekullit XX, një personalitet dhe vlera socializuese, që e bënin atë të ngjashëm me një bashkëmoshatar të vetin në shekullin XIV. Prandaj Sali Berishës, në familje iu kultivuan si vlera ato tradicionale të mjedisit shoqëror, me fisin si pikë referimi qendrore në jetën e individit. Bota brenda fisit ishte bota e sigurt, ku individi kishte gravitacion. Bota përtej fisit ishte një botë e pasigurive, ku individi humbte gravitacionin social, dhe ku fitonte siguri vetëm duke ndjekur pas të parin e fisit, të bajrakut, që vepronin në emër të fisit, të bajrakut, duke bërë marrëveshje me botën përtej fisit, bajrakut, dhe duke hyrë në sistemin e gravitacionit të saj.
        Sali Berisha nuk jetoi në fshat më tepër se deri në moshën 14 vjeç, por në mjedisin malësor fisnor të Veriut, mënyra e edukimit ishte e tillë që një djali në moshën 14 vjeçare, i ishte kultivuar sjellja dhe personaliteti i një burri të pjekur. Një malësor, 14 vjeçar kishte formimin si personalitet në kuadrin e mjedisit social ku banonte, të barabartë me atë të një njeriu që kishte thuajse dyfishin e moshës së tij në qytetet e mëdha të vendit. Baza e formimit të Sali Berishës ishte pra, ky stereotip i mjedisit fisnor ku ai lindi dhe u rrit.
        Por, derisa Sali Berisha po formohej në këtë mënyrë, ai e ndjente në shkollë dhe gjithandej presionin e qendrës tjetër të gravitacionit social, komunizmit, që kërkonte të shpërbënte sistemin në të cilin orbitonte ai. Derisa ai kishte përvetësuar një mënyrë jetese, të ngjashme me atë të stërgjyshërve të vet, po kërkohej t’i imponohej një tjetër mënyrë jetese, krejt e ndryshme me të parën.
        Në mjedisin fisnor, ku lindi dhe u formua Berisha, kur shfaqeshin befas rreziqe për mënyrën e jetesës, reagohej me atë që mund të quhet si manuali i të parëve. Kështu dhe ndaj komunizmit u reagua njëlloj si ndaj Islamit, që dikur kërkonte t’ua impononte malësorëve Imperia Osmane. Atëherë, tetë breza para Sali Berishës, paraardhësi i tij, Mark Vata (mbiemri i vërtetë i familjes së Sali Berishës është Marvataj, por ata mbajnë mbiemrin e fisit në Pukë prej nga erdhën në Tropojë), kishte kthyer fenë duke u bërë mysliman. Ashtu si dikur, paraardhësi i Sali Berishës, Mark Vata, u përshtat me realitetin e ri, duke ndryshuar fenë për t’u bërë mysliman, edhe Sali Berishës do t’i duhej të përshtatej me komunizmin, një ideologji që ishte larg formimit të tij mendor aq shumë sa ç’mund të imagjinohet. Pra, do t’i duhej të bënte një kompromis.
        Duke qenë nga natyra njeri inteligjent, Berisha e perceptoi që kur ishte në shkollë në fshatin e lindjes luftën mes dy qendrave të gravitacionit në shoqërinë ku jetonte. Kjo kultivoi tek personaliteti i Berishës ndjenjën e pasigurisë. Kjo ndjenjë pasigurie erdhi duke u thelluar veçanërisht kur Berisha u largua nga fshati i lindjes në moshën 14 vjeç, për të shkuar në Tiranë, në shkollën e mesme mjekësore. Kur Berisha u largua nga mjedisi ku kishte lindur, ai e ndjeu veten si një njeri që kishte humbur gravitacionin në shoqëri, pra ndjeu pasiguri.
        Është simptomatike për personalitetin e Berishës që ai ka në fjalorin e vet shprehje si “Është në bindjen time më të thellë” apo “Është qëndrimi im i palëkundur”. Me këtë ai sikur kërkon më tepër të bindë veten, sesa të tjerët, për sigurinë e tij, që në të vërtetë nuk e ka pasur kurrë. Shoku që pësoi Berisha ishte i dyfishtë, jo thjesht se ai humbi gravitacionin tradicional, por edhe se bota e kryeqytetit, ku erdhi e mahniti me superioritetin e saj të jashtëm, në krahasim me botën e tij, ndërtesat, dyqanet, rrugët, makinat, mënyra e jetesës etj. Ai sigurisht që e ndjeu veten inferior në këtë botë. Berisha reagoi ndaj kësaj situate të papritur, ku u ndodh me një pjekuri që e kapërcente shumë moshën e tij, se ai, siç kam thënë, ishte formuar në një mjedis ku njeriu piqej para kohe sa i përket formimit të personalitetit.
         Berisha vendosi që të bënte gjithçka që të ecte sa më përpara në këtë botë, t’i nënshtrohej por edhe ta mposhtte atë. Drama e jetës së Berishës, që nga mosha 14 vjeçare dhe deri më sot është gjetja e një gravitacioni të ri dhe kapërcimi i inferioritetit që ndjeu në botën ku erdhi. Në hapësirën e re ku erdhi Berisha në moshën 14 vjeç, dhe ku do të vazhdonte të jetonte pa ndërprerje deri më sot ishte një botë, ai filloi të kërkonte gravitacion. Dhe për të gjetur atë filloi të përdorte stereotipet e botës nga vinte. Duke qenë se ishte edukuar që për të ishte çështje sedre që të bënte mirë punën që kërkohej prej tij, në ekonominë rurale të familjes, ai filloi të bënte edhe këtu sa më mirë atë që kërkohej prej tij, të mësonte në shkollë. Kjo i jepte një siguri në mjedisin e tij të ngushtë, në klasë, në shkollë.
        Stereotipi tjetër ishte që të kërkonte ekuivalentin e fisit, të bajrakut, në botën e re ku erdhi. Ato i gjeti tek organizata e rinisë, tek partia. Ideologjinë komuniste, Berisha e perceptoi si ekuivalentin e gjakut që lidhte individin me fisin dhe bajrakun. Berisha besonte se, sa më i përkushtuar ideologjikisht që të ishte, sa më militant që të tregohej, aq më tepër organizata e rinisë, partia dhe tekefundit regjimi komunist, do të pranonin që të kishin me të marrëdhëniet që ai donte, të fisit dhe bajrakut me anëtarin e tyre, duke i dhënë atij siguri.
        Kur Berishës iu dha e drejta e studimit për mjekësi dhe më pas kur, si mbaroi shkollën, u mbajt me punë në Tiranë, në fakultetin e mjekësisë dhe në spital, ai krijoi gjithmonë e më tepër bindjen se kishte arritur pikërisht këtë lloj marrëdhënieje me partinë, me regjimin. Por, gravitacionin do ta gjente përfundimisht në realitetin e ri ku kishte ardhur vetëm kur të bëhej anëtar i PPSH. Për Berishën e ri, partia ishte ekuivalenti i bajrakut, ndërsa organizata e partisë ishte ekuivalenti i fisit. Kur Berisha u pranua në parti, ai e perceptoi këtë gjë sikur u bë anëtar i bajrakut. Tashmë për të ishte arritur ekuivalentimi i gjakut me ideologjinë në raport me botën e re ku kishte ardhur. Kështu që ai tashmë ndjente siguri në botën e re.
        Aq shumë e ka ndjerë Berisha iluzionin se kishte siguruar gravitacionin e nevojshëm, saqë ai nuk bëri një martesë jugore, siç bënin shumë nga ata pak veriorë që vinin në Tiranë në kohën e komunizmit, duke e gjetur këtë si një mënyrë të sigurt për të bërë karrierë në një regjim jugor. Pas të gjitha gjasave kjo influencoi që ai të mos bënte karrierë politike në kohën e regjimit komunist, gjë që ai qartësisht e ka dashur. Berisha punoi fort të bëhet profesionist i mirë në mjekësi dhe ia arriti kësaj.
        Por, ai nuk u bë dot intelektual, në sensin e një njeriu me dijeni të gjëra jashtë profesionit të vet. Ai ishte inteligjent, por kishte shumë mangësi që nuk e lejuan të bëhet intelektual. Së pari, atij i mungonte një bazë e mirë leximesh të përgjithshme në fëmijëri dhe në rini, që e ndihmojnë një njeri inteligjent të bëhet intelektual. Djalit inteligjent që erdhi nga Tropoja në Tiranë, me ambicien për të gjetur fisin dhe bajrakun tek partia, as nuk i ndodheshin në duar, dhe as nëpër mend nuk i shkonte të kërkonte libra që për regjimin ishin gjysmë të ndaluar, ose të ndaluar, dhe që i mundësonin atij që i lexonte një formim intelektual të ndryshëm nga ai që bëhej nga shkolla dhe botimet e kohës së komunizmit.
        Berisha kishte lexuar kryesisht tekstet shkollore, diçka letërsi, si të gjithë njerëzit inteligjentë të asaj moshe, por jo librat e duhur jashtëshkollore dhe jo në sasinë e duhur. Ai nuk kishte lexuar pothuajse asfare histori, pa njohje e së cilës një njeri inteligjent nuk mund të bëhet intelektual, dhe qartësisht për aq sa kishte lexuar, nuk kishte lexuar gjë tjetër veç teksteve zyrtare të regjimit. Ai lexonte shumë ideologji se donte të ishte i fortë në zotërimin e asaj që e quante ekuivalenti i gjakut në botën e re ku jetonte. Duke e demonstruar këtë gjë në mbledhjet partiake, format e edukimit, mbledhjet e mëngjesit të quajtura informacioni politik, Berisha kujtonte se demonstronte ekuivalentin e besnikërisë me bazë gjakun, kategori bazë e botës nga vinte. Kështu, Berisha ishte një njeri që lexonte jashtë profesionit të vet, për të kapërcyer dilemën e vet të sigurisë. Ai nuk lexonte për t’ u bërë intelektual.
        Derisa dogma ideologjike jepte siguri, ai e shikonte leximin e saj si një ritual me përmbushjen e të cilit ai legjitimohej të kërkonte siguri, si idhujtarët. Berisha ishte pra një njeri inteligjent, që mund të quhej intelektual sipas standardit të regjimit komunist, por që nuk e përdori intelektin e tij për të kultivuar me anë të leximeve kategori mendore që do ta bënin atë një intelektual ndryshe nga standardi i regjimit, ose nëse mund ta quaj kështu, një disident privat. Kjo i la një mangësi të madhe intelektuale. Kur Berisha udhëtoi në Perëndim, në vitet shtatëdhjetë-tetëdhjetë, i çuar nga regjimi komunist, ai sigurisht që e ka kuptuar absurdin e regjimit komunist në Shqipëri, por kjo nuk e cënoi strukturën e mentalitetit të tij, që ishte një mekanizëm përshtatjeje.
        Nëse do të krijohej situata, Berisha do të përshtatej edhe me realitetin e ri, me influencë perëndimore ashtu si me komunizmin, por ky ndryshim do të ishte i sipërfaqshëm. Dhe kështu ndodhi realisht kur në Shqipëri u instalua pluralizmi politik në 1990. Berisha, i cili për gjithë jetën e tij, që kur kishte ikur nga fshati, kishte kërkuar në realitetin e ri social ekuivalentin e fisit dhe bajrakut, dhe ishte akomoduar kur i kishte gjetur tek partia, e gjeti befas veten të katapultuar në krye të një «bajraku», përkatësisht partie, PD. Partinë ai pa sipas mënyrës së vet, si ekuivalentin e bajrakut, ndërsa nivelet e partisë i pa si ekuivalenti i fisit dhe familjes. Nga të gjithë anëtarët e partisë, në të gjithë nivelet, ai kërkonte që ta shihnin partinë kështu dhe t’ i bindeshin atij, duke marrë në këmbim sigurinë.
        Zgjedhjet e vitit 1992 e sollën Berishën në pushtet, me fuqi të madhe. Berisha u bë shtetar pa u bërë intelektual dhe kur u bë shtetar ai u mundua të japë përshtypjen se është intelektual. Derisa bërja shtetar pa qenë intelektual ishte handikap-i më i madh i tij, dëshira për të lënë përshtypjen se është shtetar intelektual u bë shkak për shumë veprime groteske të tij në kohën e qëndrimit në pushtet. 34 vjet, pasi ai kishte ardhur në kryeqytet, në atë botë të huaj dhe superiore për të, si një djalosh i pasigurt, ai tashmë kishte triumfuar ndaj kësaj bote shumë më tepër se ç’mund të kishte imagjinuar atëherë.
        Berisha duhet ta ketë shijuar thellë këtë triumf, por kjo duket se e ringjalli pasigurinë e tij, në një nivel të ri. Si kryetar shteti ai e tregoi veten si një njeri që për siguri kërkon të ndërtojë ekuivalentin e bajrakut në shtet, në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm. Duke bërë këtë gjë, pësoi dështime groteske. Ai qeverisi me praktikën e kamariljes (shoqërisë) dhe simboli i dështimit të kësaj mënyre është fakti që një nga armiqtë e vet më të egër sot është Bashkim Kopliku që ai e bërë zëvendëskryeministër herën e parë, kur PD ishte në pushtet dhe tre herë deputet, vetëm se ishte kushëriri i shokut të vet të dhomës në shkollën e lartë, Ferid Hotit, të cilin gjithashtu e bëri deputet dhe ambasador.
        Në aspektin e jashtëm, Berisha e kërkoi sigurinë jo si shtetar, por si bajraktar, duke hyrë nën sqetullën e njërit nga “shtatë krajlat”, të SHBA, që në këmbim të besnikërisë së tij, duhet ta mbanin atë gjatë në pushtet. Pra, marrëdhëniet e tij me SHBA Berisha i konceptoi sipas stereotipave të formimit të tij bazik, si ato të bajraktarit me krajlin. Kur marrëdhëniet shqiptaro-amerikane u komplikuan në 1994 për shkak të konfliktit që u krijua në marrëdhëniet shqiptaro-greke, Berisha nuk reagoi si një shtetar dhe intelektual, që bën një analizë të thellë e të gjerë të problemit, por si një bajraktar klientelist të cilit krajli i ka lënduar sedrën, kështu që ai hidhet tek një tjetër nga “shtatë krajlat”, duke u ftohur me SHBA dhe duke u afruar me Francën.
        Berishës nuk i shkoi ndërmend se SHBA mbeteshin partneri strategjik afatgjatë i Shqipërisë, dhe se për këtë arsye ia vlente që t’ i bindej kërkesës amerikane për politikën që duhej të bënte ndaj Greqisë, por duke e paralajmëruar SHBA për rreziqet e kësaj politike në radhë të parë për interesat e SHBA në rajon dhe posaçërisht në hapësirën shqiptare. Kështu Berisha do t’ i vinte më tepër në vështirësi zyrtarët amerikanë që bënin politikën e lobit greko-amerikan, dhe do t’i bënte SHBA më të detyruara ndaj tij. Ai u largua nga pushteti në 1997, duke vepruar sipas stereotipave të formimit të tij bazë, dhe u rikthye në pushtet në vitin 2005, duke dashur të krijojë bindjen se i kishte abandonuar ato stereotipa.
Berisha sot, si në të gjitha situatat vazhdon të veprojë sipas stereotipave që janë në bazë të formimit të vet. Ai nuk largohet nga pushteti dhe politika, jo aq për etje për pushtet, se për faktin se i duhet të gjejë ekuivalentin e fisit dhe bajrakut në jetën e re jashtë pushtetit dhe politikës.
       Tekefundit është dilema e vjetër e sigurisë.
2008