Nga Kastriot Myftaraj
Ditët e fundit dy tropojanë shprehën pikëpamjet e tyre për kryeministrin Berisha, Besnik Mustafaj, në një intervistë në emisionin «Përballë» në TVSH, në vazhdim të prononcimeve të tij kundër Berishës, dhe Kreshnik Lushaj, në gazetën «Sot», dy ditë më pas, me sa di unë për herë të parë që kur PD u rikthye në pushtet. Të dy këta ishin kritikë për Berishën, por nga pozita të kundërta. Besnik Mustafaj nga pozita e të pakënaqurit për shkak se u largua nga posti i ministrit të jashtëm, ndërsa Kreshnik Lushaj se Berisha nuk i dha asnjë post, ose më saktë një vend pune, pasi PD u rikthye në pushtet. Besnik Mustafaj dhe Kreshnik Lushaj përfaqësojnë dy tipa të ndryshëm njerëzish, por tekefundit edhe tropojanësh, nga ata që ka mbajtur pranë Berisha që kur u bë kryetar i PD në 1991. Besnik Mustafaj është ekzemplari i njeriut, por edhe tropojanit, që ka marrë shumë privilegje nga PD, pa dhënë asnjë kontribut atje, madje pa dashur të marrë as teserën e PD. Në intervistën e vet në TVSH ditën e premte Besnik Mustafaj tha se atë në PD nuk e solli Berisha, por ai hyri atje bashkë me Berishën, dhe eci pavarësisht nga Berisha. Kjo është një gënjeshtër e madhe pasi Besnik Mustafaj u bë deputet i PD në vitin 1991, pa qenë anëtar i PD. Madje Berisha e ka toleruar dhe privilegjuar aq shumë Besnik Mustafajn sa ky i fundit në 1999 u bë sekretar i marrëdhënieve me jashtë në PD, pa qenë anëtar i PD. Atëherë Besnik Mustafaj thoshte se ai ishte pranë PD, por pa qenë anëtar i PD.
Atëherë Besnik Mustafaj u bë, së bashku me Abdi Baletën, promovuesi i asaj praktike në politikën shqiptare, që sot është bërë një traditë e keqe, që disa të vetëshpallur si intelektualë të shquar, duan t’ i marrin të gjithë beneficet e mundshme të politikës, por pa u rreshtuar në një parti politike, pasi nuk duan që të kompromentohen sadopak si militantë, por të mbeten si të ardhur nga «shoqëria civile». Këtë praktikë e ndoqi më pas Edi Rama, ndërsa sot po e zhvillon deri në absurd Erion Veliaj me entourage të tij, Andrea Stefanin, Mustafa Nanon etj. Edhe kur Besnik Mustafaj u bë anëtar i forumeve të larta të PD në Kuvendin e para zgjedhjeve të vitit 2005, nuk u mor vesh se kur e mori teserën e PD. Besnik Mustafaj, i cili ka thënë vetë se ka pasur miqësi me Berishën para vitit 1990, më kot përpiqet ta mohojë që ai është bërë deputet i PD në 1991 dhe 1992 me mbështetjen e Berishës. Nëse në 1991 ai nuk do të kishte mbështetjen e Berishës, nuk do t’ i binte kujt ndërmend në PD ta ftonte atë të bëhej kandidat për deputet, aq më pak në Tiranë, ku fitorja ishte e sigurt, por e shumta do ta kishin çuar kandidat në Tropojë, ku PD humbi në 1991. Dora e kujdeshme e Berishës në karrierën e Besnik Mustafajt duket në atë se në zgjedhjet e vitit 1992, kur në Tropojë ishte e sigurt fitorja e PD, Besnik Mustafaj u çua të kandidonte në Tropojë.
Në vitin 1992, kur pritej fitorja e PD dhe ardhja e saj në pushtet, Besnik Mustafaj kërkonte të bënte karrierë diplomatike dhe ai ia kishte vënë syrin postit të ambasadorit të Shqipërisë në Francë, si frankofon që ishte, por edhe se donte të përfitonte për të stimuluar botimin e librave të veta në Francë. E megjithatë, Besnik Mustafaj kandidoi për deputet në Tropojë, edhe pse pritej që ai ta linte shpejt pas zgjedhjeve vendin e deputetit. Duket se Mustafaj e bëri këtë gjë se ai donte të kishte vendin e deputetit, si «rrjetë shpëtimi», në rast se PD nuk fitonte. Pra, ky njeri që nuk pranonte të merrte teserën e PD, i bënte mirë llogaritë për të përfituar nga PD në çdo rrethanë. Por PD fitoi dhe Besnik Mustafaj u emërua ambasador pas zgjedhjeve, duke lënë vendin e deputetit. Kjo krijoi të çarën e parë midis Berishës që ishte bërë President i Republikës dhe vendlindjes së tij, Tropojës. Berisha e kishte prezantuar vetë Besnikun në Tropojë, në fushatën elektorale, me superlativa, dhe besniku kishte bërë premtime të habitshme për ato që do të bënte për vendlindjen e tij si deputet, si bir i Tropojës. Tashmë Besniku po i braktiste ata që i dhanë votën menjëherë pas zgjedhjeve. Përshtypja e keqe që bëri kjo gjë në Tropojë, ishte kostoja e parë që Berisha pagoi për Besnikun në Tropojë. Të tjera do të vinin më pas.
Në Paris, Besnik Mustafaj nuk u soll si ambasador i Shqipërisë, por si ambasador i shkrimtarit Besnik Mustafaj, duke u marrë në pjesën më të madhe të kohës me botimin e librave të tij, me përpjekje për të lidhur kontrata me shtëpitë botuese, me përpjekje që bibliotekat e ndryshme në Francë dhe në botën frankofone të blinin librat e tij, me përpjekje që të siguronte recensione, intervista për veten si shkrimtar në gazetat, revistat dhe televizionet franceze dhe të botës frankofone. Kjo shkaktoi zemërimin e madh të Ismail Kadare, i cili ishte mësuar që ambasadorët shqiptarë në Paris të merreshin me çështje letrare vetëm për llogari të promovimit të veprës së Ismail Kadaresë. Emërimin e Besnik Mustafajt në Paris, Kadare e pa si «thikë pas shpine» që i jepte atij Berisha. Kështu, kostoja tjetër që mori Berisha për shkak të dobësisë së tij për Besnik Mustafajn ishte ftohja e tij e parë me Kadarenë. Kadare shpejtoi të vinte në maj 1992 në Tiranë nga Parisi, për herë të parë pas ikjes së tij nga Shqipëria në tetor 1990, vetëm për të ndaluar emërimin e Besnik Mustafajt si ambasador në Paris, por Berisha nuk e dëgjoi. Besnik Mustafaj në intervistën e vet televizive ditën e premte tha se në 1992 ai ishte projektuar për t’ u bë ministër i jashtëm, gjë që e kanë shkruar dhe mediat e huaja, por ai nuk pranoi se mendoi që ishte shumë i ri për këtë post. Besniku këtu bën një gënjeshtër të trashë se Berisha në 1992 nuk kishte aspak ndërmend që të bënte një tropojan ministër të jashtëm, aq më tepër kur nuk e bëri ministër Azem Hajdarin, me shfajsimin se do të thonë se Berisha qeveris me tropojanë. Në rast se Berisha do ta kishte bërë Besnikun ministër të jashtëm në 1992, atëherë Azem Hajdari me siguri që do të ishte bashkuar me mocionistët në gusht 1992.
Besnik Mustafaj në librin e vet me kujtime «Fletorja rezervat» të botuar së pari në 1996, ka thnë se kur Berisha vizitoi Parisin si President në 1995, Besniku i kërkoi dorëheqjen, se ishte lodhur dhe donte të merrej me letërsi, Berisha nuk pranoi duke i thënë: «Ti do të qëndrosh këtu». Dhe Besniku thotë në kujtimet se ai u bind se Berisha kishte një ton që nuk mund ta kundërshtoje në këto raste. Por, tash në vitin 2008, pas 13 vjetësh dhe pasi Besniku ka qenë edhe dy herë deputet dhe një herë ministër, që nga ajo, si dhe duke konsideruar atë që tha Besniku në intervistën e së premtes se ai nuk është larguar nga politika, por është larguar vetëm nga pushteti përkohësisht (kërkon prapë të bëhet ministër), del qartë se është gënjeshtër ajo që ka thënë Besniku në kujtimet e veta. Ai mund t’ ia ketë kërkuar vërtet dorëheqjen berishës, duke e ditur që ky do ta kundërshtonte, dhe kur Berisha e kundërshtoi, Besniku nuk insistoi. Por këtë gjë Besniku e vuri në kujtimet e tij të botuara në verën e vitit 1996, kur pozitat e Berishës qenë lëkundur pas kundërshtimit ndërkombëtar për zgjedhjet e majit 1996, për të bërë një lloj distancimi publik nga Berisha. Në fakt botimi i librit në këtë kohë ishte një pabesi që Besniku i bënte Berishës, dhe një investim për të bërë karrierë në PD, në rast se Berisha do të largohej që andej.
Besniku shkaktoi një zemërim të madh në PD, kur ardhi e majta në pushtet, në 1997, se Besniku dha dorëheqjen nga posti i ambasadorit ditën që Rexhep Meidani u bë president, në korrik 1997, gjë që e pohoi edhe në intervistën e së premtes. Në atë kohë porosia e PD dhe e vetë Berishës për njerëzit e PD që ishin në administratë ishte që kurrkush të mos japë dorëheqjen, por le t’ u pushojnë nga puna socialistët, se kjo na duhet për t’ u thënë ndërkombëtarëve se po bëhen spastrime. Besniku ishte ai që e shkeli këtë porosi, edhe pse ai nuk ishte nën presion të madh, siç ishte p.sh., Prokurori i Përgjithshëm i kohës Alush Dragoshi, që u u kërcënua me arrestim, në rast se nuk e jepte dorëheqjen. Sigurisht që Besnikun nuk do ta arrestonte njeri në rast se kthehej në Shqipëri pasi ta kishin shkarkuar. Por atëherë Besniku mendoi se e majta do të rrinte gjatë në pushtet, dhe se ndërkombëtarët do të krijonin një opozitë dekorative, duke larguar Berishën nga PD, dhe nëse ai (Besniku) do të jepte dorëheqjen, atëherë do të ishte i pranueshëm për ndërkombëtarët si një nga liderët e PD post-Berishë, aq më tepër se ndërkombëtarët me praninë e Besnikut do të tregonin se nuk e kishin me tropojanët, por me Berishën.
Besniku u rikthye në Shqipëri në shtator 1997, në prag të Kuvendit të jashtëzakonshëm të PD, që do të zgjidhte kryetarin e partisë, dhe do të rikrijonte forumet, pas dorëheqjes së Tritan Shehut, dhe tronditjeve të tjera që pësoi partia atë vit. Por Besniku nuk u bë anëtar i PD, dhe aq më pak të hynte në forumet e larta të PD. Ai qendroi sipas shprehjes së tij, pranë PD, por pa qenë anëtar i PD. Ky qëndrim i Besnikut nuk mund të kishte shpjegim tjetër veç atij se ai parashikonte se Berisha do të largohej nga drejtimi i PD, i detyruar nga ndërkombëtarët, dhe nuk ia vlente që Besniku të identifikohej shumë me Berishën, në mënyrë që të hynte në lidershipin e ri të partisë, post-Berishë. Në 14 shtator 1998, në situatën më të tensionuar që kaloi PD gjatë tetë viteve që ishte në opozitë, Besniku u largua nga Shqipëria për në Francë që në mëngjes, pa marrë pjesë në funeralin e Azem Hajdarit. Kjo bëri përshtypje shumë të keqe në PD, veçanërisht tek tropojanët, pasi Azem Hajdari ishte tropojan dhe e kishte mbështetur Besnikun në zgjedhjet e vitit 1992, në Tropojë. Besniku iku duke braktisur dhe dy tropojanë të tjerë, Sokol Mulosmanin dhe Kreshnik Lushajn, të cilët ishin arrestuar në gusht me grupin e të gjashtëve, dhe për të cilët PD kishte filluar protestat masive, duke kërkuar lirimin e tyre.
Në Kuvendin e PD të vitit 1999, Besnik Mustafaj u bë sekretar i marrëdhënieve me jashtë i PD, por pa qenë anëtar i PD. Besniku e shpjegonte këtë anomali duke thënë se ai ishte pranë PD, por nuk ishte në PD. Kjo nuk kishte shpjegim tjetër veç atij që kam dhënë më lart, se Besniku nuk donte të hynte në PD, në krah të Berishës, sa kohë që pozita e këtij të fundit në krye të PD ishte e dyshimtë dhe nuk ishte qartësuar ende nëse ndërkombëtarët do ta lejonin Berishën të rrinte në krye të partisë, apo do ta largonin. Në zgjedhjet vendore të vitit 2000 Besnik Mustafaj konkuroi në PD për të qenë kandidat i kësaj partie për kryetar i Bashkisë së Tiranës, përballë Edi Ramës, që atë vit kandidonte për herë të parë. Besniku pati qartësisht mbështetjen e Berishës përballë dy konkurentëve të tjerë, Bamir Topit dhe Spartak Ngjelës. Dalja e Besnik Mustafajt si kandidat i mbështetur qartësisht nga Berisha u bë shkak që të fillonte një linjë e ngatërruar spekulimesh për një intrigë të madhe politike në linjën Berisha-Meta (atëherë Meta ishte kryeministër). Thuhej se kandidatura e Besnik Mustafajt kishte dalë si rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë Berisha-Meta, për të eliminuar politikisht Edi Ramën, ngjitjen e të cilit Meta e shikonte me alarm, duke e parë si rival afatgjatë në PS. Kjo teori konspiracioni mbështetej dhe nga fakti që gruaja e Besnikut dhe gruaja e Metës, ishin kushërira (të dyja ishin me origjinë dibrane) dhe Besniku kishte miqësi familjare me Metën dhe kur ishte ambasador në Paris, e kishte pritur atë dhe Monikën në shtëpi me shumë përzemërsi. Pra, Besniku si kryetar bashkie i kryeqytetit do të ishte i dëgjueshëm ndaj Metës, madje shumë më tepër se Edi Rama. Zgjedhja e Besnikut do kishte dhe avantazhin tjetër për Metën që do të amortizonte protestat e opozitës për humbjen e zgjedhjeve në pjesën më të madhe të bashkive dhe komunave të vendit. Rama u alarmua shumë nga kandidatura e Besnikut dhe alarmoi edhe ambasadorin e atëhershëm amerikan në Tiranë, Limprecht, i cili ishte mbështetës i madh i Ramës dhe madje ishte bërë anekdotik në Tiranë, deri edhe me vdekjen e tij, për shkak se ishte bërë pjesë e shoqërisë së një grupi femrash pranë Edi Ramës, të cilat njiheshin si mantenuta të trafikantëve të drogës. Limprecht e paralajmëroi Metën se në rast humbjeje të Ramës përgjegjësia do të ishte e Metës. Gjithashtu Limprecht bëri gjithçka për të mbështetur Ramën, deri edhe duke dalë gjatë fushatës zgjedhore përkrah Ramës, me arsyetime të ndryshme, por qartësisht për të treguar mbështetjen e tij për të.
Atëherë Rama mbështeti Bamir Topin për të fituar garën në PD për kandidat bashkie. Kur garën në PD e fitoi Mustafaj, Topi u largua i pakënaqur me grupin e tij të mbështetësve nga tiranasit autoktonë, siç i quante ai, duke lëshuar akuza se votimi ishte manipuluar nga Shaban Memia, në dobi të Mustafajt, me urdhër të Berishës. Kështu Berisha, për shkak të mbështetjes për Mustafajn, krijoi një të çarë serioze me Topin, e dyta pas asaj të një viti më parë, kur Topi kishte konkurorar pa sukses për postine kryetarit të PD të Tiranës. Mustafaj humbi në zgjedhje përballë Edi Ramës, gjë që nuk ra shumë në sy se humbja e PD ishte e përgjithshme, në gjithë vendin. Ishte qëndrimi i Besnikut pas zgjedhjeve ai që indinjoi anëtarët dhe mbështetësit e PD. PD nuk e njohu rezultatin, i konsideroi zgjedhjet të manipuluara, bojkotoi turin e dytë të zgjedhjeve, dhe filloi protestat masive. Ndërsa shkallëzohej tensionimi i situatës dhe dukej qartë se do të kishte përplasje të dhunshme mes qeverisë dhe opozitës, Besniku befas u largua nga Shqipëria për në Francë, duke braktisur protestat, me shpjegimin se kishte marrë një ftesë nga një fondacion që jepte bursa për shkrimtarë. Ishte absurde që PD i ftonte anëtarët dhe mbështetësit e saj në protesta në Sheshin «Skënderbej», së pari kundër manipulimit të votave që u bë në kryeqytet, pastaj në gjithë vendin, ndërsa kandidati i PD për kryetar bashkie në kryeqytet, nuk merrte pjesë në këto protesta, se nuk mund të refuzonte një ftesë si shkrimtar për në Paris?! Protestuesit e PD në Tiranë rrëmbeheshin nga policie dhe rriheshin në komisariate se protestonin për votat që iu vodhën Besnikut, ndërsa ky rrinte në Paris! Me këtë Besniku e tregoi se ishte një njeri cinik dhe meskin, që qënien shkrimtar e kishte si justifikim për t’ iu shmangur përgjegjësive në politikë. Më vonë doli se ky qëndrim i besnikut kishte dhe një shpjegim tjetër. Besniku kishte marrë nga qeveria e majtë një sipërfaqe të madhe trualli në perferi të qytetit të Tiranës si kompensim për një sipërfaqe trualli që ai e kishte në Tropojë. Ky ishte nëj skandal i vërtetë, se trualli në Tropojë mund t’ i kompensohej me një truall tjetër në Tropojë. Se që t’ i kompensohej në Tiranë, do të thoshte që ai kishte marrë një rryshfet të madh nga qeveria e majtë, e mikut të tij, Ilir Meta.
Në atë kohë, Kreshnik Lushaj ishte në rreshtat e protestuesve të PD, dhe vëllai i tij Syl Lushaj u vra nga policia në një protestë të PD në Tropojë, në 28 nëntor të atij viti. Lushajt derdhën gjak për Berishën dhe për Mustafajn, në një kohë që Mustafaj rrinte në Paris. Atë ditë kur selia qëndrore e PD në Tiranë u rrethua nga policia me autoblinda, snajperë dhe grupe forcash speciale me maska, dhe kur Berisha u arrestua dhe shumë anëtarë dhe mbështetës të PD, mes të cilëve dhe shumë tropojanë, si Sokol Mulosmani, që u tërhoq zvarrë nga policia para selisë së PD, Besniku rrinte në kafenetë e Parisit. Të gjithë këta njerëz u keqtrajtuan dhe dis u vranë, se ndoqën pas Berishën që i ftoi në protesta. Berisha zgjodhi rrugën e protestave, kur mund të kishte zgjedhur atë rrugë që zgjodhën Edi Rama dhe Ilir Meta në 2006, kur i vunë kushte Berishës për të hyrë në zgjedhjet vendore të 20 janarit 2007, dhe i bojkotuan ato ku nuk u plotësuan kërkersat e tyre. Berisha mund t’ i bojkotonte zgjedhjet dhe njerëzit të mos keqtrajtoheshin e vriteshin se ndërkobmëtarët do të detyroheshin që të nderhynin që qeveria të rregullonte listat të cilat nuk u shpallën deri ditën e zgjedhjeve. Por Berisha nuk e bëri këtë se ai hezitonte për shkak se mendonte për imazhin e tij në sytë e ndërkombëtarëve, që në fantazinë e tij do të përmirësohej nëse ai hynte në zgjedhje megjithë parregullsitë, duke besuar tek garancitë e ndërkombëtarëve. Dhe kur Berisha hyri në zgjedhje dhe ndërkombëtarët nuk e mbajtën fjalën, ai filloi protestat, duke u dhënë shkak ndërkombëtarëve diabolikë që nuk kishin mbajtur fjalën që ta akuzonin se problemi i Berishës ishte se nuk pranonte dot humbjen. Por edhe në këto protesta berisha nuk ishte i vendosur pasi thellë në mendjen e tij ai i shikonte ato si një mënyrë për t’ u treguar ndërkombëtarëve se ai ishte i domosdoshëm për të mbajtur nën kontroll turmat e opozitës. Që të funksiononte kjo lojë duhej gjaku i Sylë Lushës në Tropojë, duhej gjaku i derdhur i të rrahurve në birucat e komisariateve, në mënyrë që Berisha të dilte të nesërmen e arrestimit të tij, në konferencë për mediat, si njeriu që mund t’ i vinte gjërat nën kontroll. Por ata që sakrifikonin e ndiqnin pas Berishën edhe pas kësaj se besonin që ai do t’ i shëpërblente dhe do t’ i ndëshkonte ata që derdhën gjakun e tyre.
Disa muaj më pas, në zgjedhjet e vitit 2001, Besnik Mustafaj u rikthye nga Parisi, për t’ u bërë deputet i PD. Kjo i indinjoi qëndrestarët të cilët nuk e kuptonin se përse duhej që Berisha ta toleronte dhe shpërblente kaq shumë këtë Besnikun, që as anëtar i PD nuk ishte. Tekefundit kush ishte ky Besnik Mustafaj, çfarë vlerash kishte? Para se të hynte në politikë, ai nuk hynte as tek shkrimtarët mesatarë në Shqipëri. Në Francë filloi të botohet kryesisht pasi u bë ambasador, kur kishte mundësi të promovonte veten, ndërsa para se të bëhej ambasador ishte botuar shumë pak në Francë, jo për meritat e tij si shkrimtar, por se punonte në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, ku kishte mundësi të lëvizte levat e duhura që i bënin të mundur që të botonte diçka në Francë, në kuadrin e bashkëpunimit kulturor zyrtar mes dy vendeve. Në PD, Besnikun pasi dha dorëheqjen në korrik 1997 si ambasador dhe pasi u largua në Paris pas zgjedhjeve vendore të vitit 2000, e quanin «Besniku i Partisë», (në lidhje me PS) në analogji me Hysni Kapon, dhe duke iu referuar faktit që Besnik Mustafaj kishte qenë anëtar i PPSH para vitit 1990, dhe nga fakti që Besniku nuk ishte bërë ende anëtar i PD. Në vitin 2005, para zgjedhjeve, kur pritej që PD të vinte në pushtet, Besnik Mustafaj, duke dashur të bëhej ministër më në fund u bë anëtar i PD, dhe hyri në forumet e larta të kësaj partie. Pas zgjedhjeve, Besniku që u bë përsëri deputet, u bë ministër i jashtëm në qeverinë «Berisha». Për t’ u kuptuar privilegji që Berisha i bëri Besnikut duhet thënë se për herë të parë, sa kohë Berisha kishte qenë në pushtet, duke përfshirë dhe vitet 1992-1997, ai lejoi që në qeveri të ishin dy tropojanë. Pasi Mustafaj dha dorëheqjen, pas të gjitha gjasave të detyruar, në prill 2007, pas një viti e gjysmë në postin e ministrit të jashtëm, ai reagoi ndaj Berishës në një mënyrë që nuk duhej pritur nga një njeri si Mustafaj të cilit Berisha i kishte bërë kaq shumë privilegje, duke pasur ky njeri kaq pak kontribut në PD, dhe duke mos qenë as ndonjë intelektual i shquar. Mustafaj menjëherë pas dorëheqjes deklaroi publikisht se deri më sot me Berishën e lidhnin dy gjëra, miqësia dhe bashkëpunimi politik, dhe se njëra nga këto të dyja, miqësia tashmë ishte prishur. Me këtë Mustafaj dha të kuptojë se e kishte dhënë dorëheqjen nën presionin e Berishës. Që atëherë Mustafaj ka qenë publikisht shumë kritik ndaj Berishës, duke arritur madje deri atje sa të bëhet analist i gazetës «Shqip» përkrah Andrea Stefanit dhe Mustafa Nanos.
Problemi më i madh i Berishës me Besnik Mustafajn është se Berisha dështoi me tropojanin që ka privilegjuar më shumë, pa dhënë ky i fundit asnjë kontribut konsistent në PD. Besnik Mustafaj është ai njeri që ka marrë nga PD shumë më tepër se ç’ i ka dhënë asaj, madje ka përfituar nga PD jo vetëm si politikan, por edhe si shkrimtar, duke promovuar veten si shkrimtar falë postit diplomatike që i dha PD. Një tjetër tropojan, Mujë Buçpapaj, nuk ka qenë poet dhe shkrimtar më i keq se Besniku, por u sakrifikua për PD si gazetar në shtypin e saj, dhe sot hesht edhe pse ka përfituar nga PD shumë më pak se Besniku, ndonëse Muja ka një kontribut shumë më të madh se Besniku në PD. Tropojanët që mbështetën Berishën, dhe flas për intelektualët, jo militantët, kanë të drejtë që të jenë të indinjuar me të, se njeriu që Berisha mbështeti dhe privilegjoi më shumë, tregohet më mistreci kundër tij. Me postet që i dha Mustafajt, Berisha mund të kishte kënaqur së paku katër intelektualë tropojanë, të cilët do t’ ia kishin ditur për nder sot.
Në një kohë që shumë intelektualë me origjinë tropojanë që u rrahën komisariateve për të mbrojtur votat e Besnikut në vitin 2000, ose që kanë dëshmorë të demokracisë në familje, si Kreshnik Lushaj, kanë mbetur pa punë, bëhet edhe më i dukshëm cinizmi i të përkëdhelurit të Berishës, Besnikut, që thotë se ai nuk është alrguar nga politika, por është larguar përkohësisht nga pushteti. Pra, ky Besniku duket se mendon se do të bëhet përsëri minsitër kur të mos jetë Berisha në krye të PD, dhe PD të jetë përsëri në pushtet. Nuk u ngop me pushtet ky njeri që në kujtimet e veta pretendon se ishte lodhur nga postet që në vitin 1995? Veçanërisht qesharak bëhet Besnik mustafaj kur kërkon të marrë pozita të të djathtit radikal në PD, dhe e kritikon Berishën, siç bëri në intervistën televizive të së premtes, se: «Partia Demokratike ka rrëshqitur drejt qendrës së majtë... Deklarimet e Berishës, se ne jemi parti e kafshatës, deklarimet e kryeministrit për vaskat e florinjta etj., sulmet që u bën pasanikëve. Nëse ata e kanë pasurinë të paligjshme le t’ i shikojë prokuroria, por nuk sulmon politika, politika e djathtë pronarët».
Por ky Besniku gjithmonë ka qenë pranë krahut të ashtuquajtur të moderuar në PD, dhe asnjëherë nuk ka lëvizur djathtas, siç pretendon se bën sot. Ky Besniku i dalë nga bodrumi i ish-Komitetit Qendror, ku kishte zyrën e tij, në Institutin e Studimeve Marksiste Leniniste, ka detyrimin të na shpjegojë se si i bëhet në Shqipëri sikur edhe PD të mbrojë pasanikët, që janë kryesisht të majtë, të dalë sipas zbatimit të Planit të Katovicës, që e pohoi Servet Pëllumbi dhe që Besniku nuk ka kurajë ta pohojë se është i vërtetë? Sipas Besnikut, djathtizmi i PD duhet të konsistojë në mbrojtjen e pasanikëve të majtë. Pastaj, a nuk ka parë ky Besniku edhe në Francë se si politika flet kundër rrezikut të polarizimit social, dhe madje vepron me instrumenta fiskale. Në Francë flet kryesisht e majta se atje pasanikët janë kryesisht të djathtë. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Problemi me Berishën nuk është se flet kundër pasanikëve abuzues, pro se nuk vepron kundër tyre.
Besniku në intervistën e tij të fundit sikur na e bëri pak të qartë se përse u prish miqësia e tij me Berishën, me rastin e dorëheqjes së Mustafajt. Miqësia nuk u prish thjesht se Berisha i kërkoi dorëheqjen, por për mënyrën se si e detyroi ta japë dorëheqjen. Besniku tha se edhe dashamirët edhe dashakëqinjtë e tij, nuk thonë se ai dha dorëheqjen për shkak të ndonjë skandali. Me këtë Besniku sikur konfirmoi fjalët se ai dha dorëheqjen se berisha e kërcënoi me publikimin e një skandali, që do ta detyronte Besnikun të jepte dorëheqjen. Kjo flet shumë për moralin e Berishës dhe të Mustafajt, dhe Berisha më kot i thotë Taulant Ballës se do t’ ia bëjë fytyrën si këpuca (nxijë faqen) në rast se i zbulon historitë e prostitutave moldaveve që ai ka sjellë kur ishte student në Rumani, dhe që zihen në baret e Tiranës me nallane, se edhe Berisha e detyroi mikun dhe minsitrin e tij të jashtëm të jepte dorëheqjen, duke e kërcënuar, nëse do të perifrazoj kryeministrin me një «nallane moldave». Në këtë histori më të ndershëm dalin ata që shkojnë me para me moldavet, dhe vetë moldavet e shkreta, se ata moldavizojnë zyrat e larta të shtetit si Mustafaj dhe Berisha që bën shantazh me «moldavëritë» e ministrit të vet. Dhe militantët rrinë e vështrojnë!





