Nga Kastriot Myftaraj
Në vitin 2004, akti që i shkoi Kuvendit të Shqipërisë nga Presidenca me propozimin për emërimin e Ardian Fullanit në postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë (propozimi i emrit të guvernatorit është atribut kushtetues i Presidentit), mbante firmën e ish-shefit të sigurisë në kompaninë «VEFA», Alfred Moisiu, tashmë President i Republikës, dhe të ish-Drejtorit të degës së Tiranës të kompanisë «VEFA», Filip Rrumbullaku, tashmë sekretar i përgjithshëm i presidencës. Nuk ishte ironi e vogël që ish-nëpunësit e Vehbi Alimuçës, që tashmë ishte në burg për ngritje të një skeme piramidale mashtruese, tashmë po emëronin guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Kjo tregonte fuqinë e qendrave okulte që krijuan firmat piramidale në Shqipëri. A thua Moisiu dhe Rumbullaku po e çonin Fullanin në krye të Bankës e Shqipërisë që ta shndrronte atë në një skemë piramidale mashtruese. Dëmi financiar që u sollën qytetarëve shqiptarë skemat piramidale financiare mashtruese u llogarit përfundimisht (pasi u zbritën asetet e tyre ekzistuese) në rreth 900 milion USD. Kjo shifër duhet konsideruar e besueshme se doli nga qeveria e së majtës e cila ishte në opozitë në kohën e falimentimit të skemave piramidale. Ky është dëmi që sollën shqiptarëve, Vehbi Alimuça, Maksude Kadëna, Rrapush Xhaferri, Bashkim Driza, Lefter Cenaj etj.
Ardian Fullani, në postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, që nga viti 2004 dhe deri më sot, u ka sjellë financave publike një dëm më të madh se ai i gjithë skemave piramidale mashtruese të të marra së bashku. Bosët e firmave piramidale mashtruese, për dëmin financiar që u sollën shqiptarëve u dënuan me burg dhe një pjesë vuajtën ose po vuajnë burgimin, ose kanë vdekur në burg, një pjesë janë në kërkim pasi janë dënuar në mungesë. Ndërsa guvernatori Fullani për dëmin që u ka sjellë financave publike nuk ka pasur asnjë pasojë. Ai vazhdon të mbajë postin e vet dhe të abuzojë parreshtur. Kur ranë firmat piramidale shqiptarët bënin humor se si ishte e mundur që njerëz si Sudja, Rrapush Xhaferri, apo Vehbi Alimuça, me profesione pastruese, llogaritar dhe kapter, të dilnin si financierë gjenialë. Por sot asnjë nuk thotë se kur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nuk ka asnjë kualifikim shkencor, nuk është master dhe nuk ka doktoraturë në financë, gjë që verifikohet lehtë nga jetëshkrimi i tij zyrtar në faqen on-line të Bankës së Shqipërisë, që e ka paraqitur ai vetë, kjo është edhe më skandaloze se kur një pastruese, apo një kapter bëhen titullarë të një enti privat financiar.
Aspekti më skandaloz i firmave piramidale ishte se ato ndërsa filluan të ulin dhe të ndërpresin të ardhurat për kreditorët, rritën shpenzimet për titullarët e tyre dhe për personelin. Pikërisht këtë gjë ka bërë Ardian Fullani në Bankën e Shqipërisë. Me ardhjen e tij në krye të Bankës së Shqipërisë, në tetor 2004, Fullani, ka ulur çdo vit të ardhurat që Banka e Shqipërisë sjell në buxhetin e shtetit, që në vitin 2007 kanë rënë në 40% të shumës që ishin në vitin 2004. Në vitin 2007 Banka e Shqipërisë nuk pati më shumë se 50 milion dollarë të ardhura, kur në vitin 2004 ka patur 120 milion dollarë të ardhura. Arsyeja kryesore për të cilën ka ndodhur kjo gjë është rritja e shpenzimeve abuzive, për personelin, shpenzimeve administrative, si dhe dhe rritja abuzive e investimeve kapitale. Të gjitha këto janë bërë për t’ i siguruar Fullanit dhe klanit të tij mundësi abuzimi. Nëse do të shikojmë shpenzimet e këtij lloji të Bankës së Shqipërisë, me ardhjen e Fullanit, do të vemë re një rritje të madhe dhe të pajustifikuar të tyre.
Në buxhetin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2005, i pari vit kur buxhetin e bëri Fullani, për «shpenzime personeli» u caktuan 579.400.000 lekë të reja, çka ishte një rritje e ndjeshme nga viti 2004. Në shpenzimet e personelit futen pagat, shpërblimet, shpenzimet për sport, ekskursione, shpenzimet për festa, kontributet për sigurimet shoqërore dhe për pensione (shuma për kontributet rritet abuzivisht se pagat janë abuzivisht të larta), kompensim ushqimi. Në vitin 2006 shuma për shpenzime personeli u rrit në 708.509.000 lekë të reja. Në vitin 2007 shuma u rrit në 785.416.000 lekë të reja. Ndërsa për vitin 2008 kjo shumë është rritur në 886.392.000 lekë të reja, që së bashku me fondin rezervë prej 50.508.000 lekë të reja, shkon në 936.900.000 lekë të reja, ose rreth 10 milion dollarë. Nga shuma për shpenzime personeli, në vitin 2005, për pagat, ku futen edhe shpërblimet, u caktuan 432.100.000 lekë të reja. Në vitin 2006 kjo shumë u rrit në 526.860.000 lekë të reja, në vitin 2007, në 611.900.000 lekë të reja dhe në vitin 2008 është caktuar në shumën 691.081.000 lekë të reja. Në buxhetin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2008 është parashikuar dhe një fond rezervë pagash 43.050.000 lekë të reja, që Fullani nuk e le pa e shpenzuar dhe me të cilin shpenzimet për pagat në vitin 2008 shkojnë në 734.131.000 lekë të reja. Dhe ky fond pagash ndahet në 450-500 punonjësit e Bankës së Shqipërisë, që kanë pagat dhe shpërblimet më të larta ndër punonjësit publikë, sigurisht duke marrë Fullani dhe klani i tij «pjesën e luanit».
Ndërsa vetëm për pagat neto të personelit, në vitin 2006 janë shpenzuar 390.000.000 lekë të reja. Në vitin 2007 kjo shumë është rritur në 464.000.000 lekë të reja, ndërsa për vitin 2008 është caktuar shuma prej 516.000.000 lekësh të reja, që së bashku me fondin rezervë prej 36.000.000 lekë të reja, që Fullani nuk e le pa e shpenzuar, shkon në 552.000.000 lekë të reja. Siç shihet, punonjësit e Bankës së Shqipërisë, edhe pse kanë pasur paga mjaft të lartë në krahasim me sektorët e tjerë të administratës publike, përsëri kanë pasur rritje më të madhe se të tyre. Rritja abuzive e pagave ka çuar dhe në rritjen abuzive të kontributeve për sigurime shoqërore dhe për pensione. Kështu, në vitin në vitin 2005, shpenzimet për pagesa sociale, ku futen kontribut për sigurime shoqërore dhe kontribut për fond pensioni, kanë qenë 105.300.000 lekë të reja. Në vitin 2006, shpenzimet për pagesa sociale janë rritur në 127.500.000 lekë të reja, nga të cilat kontributi për sigurime shoqërore ka qenë 69.000.000 lekë të reja, ndërsa kontributi për fond pensioni 58.500.000 lekë të reja. Në vitin 2007 këto shpenzime janë rritur në 129.000.000 lekë të reja, ndërsa për vitin 2008 janë rritur në 151.000.000 lekë të reja. Sikur fondi për sigurimet shoqërore dhe për pensione të ishte fondi i pagave, 450-500 punonjësit e Bankës së Shqipërisë, do të kishin paga të kënaqshme.
Fondi për shpërblimet e personelit është rritur gjithashtu abuzivisht çdo vit, me ardhjen e Fullanit në krye të Bankës së Shqipërisë. Në buxhetin e vitit 2005, fondi i shpërblimeve ishte i përfshirë në fondin prej 432.100.000 lekë të pagave. Për vitin 2006 fondi i shpërblimeve është 135.000.000 lekë të reja. Në vitin 2007 fondi i shpërblimeve u rrit në 141.000.000 lekë të reja, që së bashku me shpërblimet suplementare në shumën 5.000.000 lekë të reja, shkoi në shumën 146.000.000 lekë të reja. Për vitin 2008 fondi i shpërblimeve është rritur në 179.650.000 lekë të reja. Kjo shumë është e ndarë në tre kategori. Shpërblime të zakonshme janë caktuar në shumën 163.000.000 lekë të reja. Është caktuar gjithashtu dhe një fond rezervë prej 7.050.000 lekë të reja, që e çon shumën e shpërblimeve të zakonshme në 170.050,000 lekë të reja. Dhe si të mos mjaftonte kjo është parashikuar dhe një fond tjetër për shpërblime suplementare në masën 9.600.000 lekë të reja. Ky fond shpërblimesh u ndahet rreth 500 punonjësve të Bankës së Shqipërisë, duke marrë sigurisht «pjesën e luanit» Fullani dhe klani i tij. Aq i madh sa ç’ është fondi i shpërblimeve, ai fare mirë mund të ishte fondi i pagave për punonjësit e bankës së Shqipërisë, dhe ata të merrnin paga të mira për standardet shqiptare.
Një tjetër zë në shpenzimet për personelin ku Fullani ka bërë rritje abuzive është ai «kompensime dhe ndihma financiare». Në buxhetin e vitit 2005, që u bë sipas modelit të paraardhësit të Fullanit, «kompensimet dhe ndihmat financiare» përfshiheshin në një zë, së bashku me dietat, dhe arrinin në shumën 32.800.000 lekë të reja. Por në buxhetin e vitit 2006, bëhet një zë më vete «kompensime dhe ndihma financiare», ku futen ekskursione, lindje-martesa-vdekja, si ato që quhen shpenzime të tjera të njëjta dhe festa, dhe për këtë caktohen 18.700.000 lekë të reja, pa dietat. Sa për dietat ato nuk figurojnë në buxhet, por janë të shpërndara në zëra të tjerë si transporti, shpenzime administrative, shpenzime për trajnime dhe konferenca etj. Kështu, në 2006 për bileta avioni, treni dhe autobusi janë shpenzuar 14.000.000 lekë të reja, për viza dhe taksa doganore 4.000.000 lekë të reja, për shpenzime udhëtimi brenda e jashtë vendit, 30.000.000 lekë të reja, për shpenzimet e mbledhjeve të bordit 12.810.000 lekë të reja. Gjithashtu shpenzimet për dieta mund t’ i gjurmojmë në zërin trajnime-kërkime dhe konferenca, për të cilin në 2006 kanë shpenzuar 31.400.000 lekë të reja. Dhe në fund shtohet edhe një që quhet «shpenzime të tjera të njëjtë», në masën 11.420.000 lekë të reja. Pra, në vitin 2006, zëri «kompensimet dhe ndihmat financiare», i marrë së bashku me dietat, siç ishte në vitin 2005, është rritur në 106.000.000 lekë të reja, ose është rritur më tepër se trefish. Në vitin 2007, për kompensime dhe ndihma financiare të personelit janë shpenzuar 18.500.000 lekë të reja. Por nëse do të bëjmë një krahasim me kategoritë buxhetore të vitit 2005, duke e marrë këtë zë së bashku me shpenzimet për dietat, që gjurmohen në mënyrën e mësipërme, do të shohim sa vijon: Për trajnime-seminare-konferenca janë shpenzuar 28.523.000 lekë të reja, për bileta avioni, treni dhe autobusi janë shpenzuar 18.000.000 lekë të reja, për viza dhe taksa doganore 4.023.000 lekë të reja, për shpenzime udhëtimi brenda dhe jashtë vendit 40.000.000 lekë të reja, për «shpenzime të tjera të njëjta» 14.705.000 lekë të reja. Pra, me kategoritë buxhetore të vitit 2005 zëri «kompensimet dhe ndihmat financiare» është rritur në 122.000.000 lekë të reja, në vitin 2007.
Në vitin 2008, për zërin «kompensimet dhe ndihmat financiare», pa dietat, janë caktuar 23.800.000 lekë të reja, pra mbi 70% e shumës që në vitin 2005 u shpenzua për këtë zë, së bashku me dietat!!! Në rast se do të gjurmojmë shumën e caktuar për dietat në buxhetin e vitit 2008, do ta gjejmë atë në zërin «bordi, shpenzime, mbledhje, honorare», për të cilin në vitin 2008 janë parashikuar 21.294.000 lekë të reja. Gjithashtu shpenzimet për dietat do t’ i gjejmë në 40.000.000 lekë të reja të caktuar për «shpenzime udhëtimi biznesi jashtë vendit». Gjithashtu dietat mund t’ i gjurmojmë dhe në shumën prej 10.000.000 lekë të reja të caktuar në buxhetin e vitit 2008 për «shpenzime udhëtimi biznesi brenda vendit». Gjithashtu, shpenzimet e caktuara në vitin 2008 për dietat mund t’ i gjurmojmë në zërin «trajnime, seminare, konferenca» për të cilin në vitin 2008 janë caktuar 34.294.000 lekë të reja, që së bashku me fondin rezervë prej 4.000.000 lekë të reja, që Fullani nuk e le pa e harxhuar, shkojnë në 38.294.000 lekë të reja. Pra, me kategoritë buxhetore të vitit 2005 zëri «kompensimet dhe ndihmat financiare» është rritur në 130.000.000 lekë të reja në vitin 2007, ose mbi katër herë. Kjo ka një emër: vjedhje legale! Nuk është ironi e vogël që, pasi për punonjësit e Bankës së Shqipërisë është caktuar një fond kaq i madh pagash dhe shpërblimesh, të ketë nevojë dhe për kompensime dhe ndihma financiare. Por ja që kështu është.
Në buxhetin e vitit 2006 për ekskursione të punonjësve të Bankës së Shqipërisë, janë parashikur 4.800.000 lekë të reja. Në 2007 kjo shumë u rrit në 6.000.000 lekë të reja, ndërsa në 2008 për këtë shumë janë caktuar 8.800.000 lekë të reja për ekskursione! Sikur nuk i paguajnë dot vetë paratë për ekskursione punonjësit e bankës me pagat dhe shpërblimet e mëdha që marrin! Dhe e keqja më e madhe është se ka të dhëna se këto ekskursione të paguara nga buxheti i bankës sjellin rritjen abuzive të shpenzimeve për kompensime lindjesh. Në buxhetin e vitit 2008, pas zërit «ekskursione» janë parashikuar dhe 6.500.000 lekë të reja që justifikohen si «shpenzime të tjera të njëjta, festa». Pra, 15.300.000 lekë të reja janë parashikuar në buxhetin e vitit 2008, për ekskursione, festa të personelit, dhe gjëra të tjera të ngjashme. Në buxhetin e vitit 2008, vetëm për «ekskursione dhe shpenzime të tjera të njëjta, festa» (15.300.000 lekë të reja), shpenzime sporti për punonjësit e Bankës së Shqipërisë (12.458.000 lekë të reja), pritje (6.985.000 lekë të reja), dhurata (1.200.000 lekë të reja), ose në total mbi 36.000.000 lekë të reja, është shpenzuar një shumë 10% më e madhe se ajo e shpenzuar në vitin 2005 për dietat, së bashku me kompensimet dhe ndihmat financiare (32.000.000 lekë të reja). Tregues më të qartë të abuzimit se ky nuk ka!
Në vitin 2006 u shpenzuan për kompensim ushqimi 30.000 lekë të reja, pra pothuajse sa shuma e shpenzuar në vitin 2005 për dietat, së bashku me kompensimet dhe ndihmat financiare (32.000.000 lekë të reja). Për ç’ kompensim ushqimi bëhet fjalë, me pagat dhe shpërblimet që marrin punonjësit e Bankës së Shqipërisë? Kësaj i thonë vjedhje e legalizuar. Në vitin 2007 për kompensim ushqimi u shpenzuan 17.000.000 lekë të reja dhe kjo zbritje erdhi se Fullani e kuptoi që e kishte tepruar shumë me këtë shpenzim. Në buxhetin e vitit 2008 janë caktuar 14.000.000 lekë të reja për «kompensim ushqimi», që është një shpenzim abuziv. Në vitin 2006 u shpenzuan 4.009.000 lekë të reja për aktivitete sportive. Në 2007 kjo shumë u rrit në 7.836.000 lekë të reja. Në buxhetin e vitit 2008 Fullani ka caktuar shumën prej 12.458.000 lekë të reja për «shpenzime sporti». Se punonjësit e Bankës së Shqipërisë, pasi kanë marrë paga dhe shpërblime të mëdha, si dhe janë ushqyer nga buxheti i bankës, duhet dhe të merren me sport me shpenzimet e bankës. Njeriu kur shikon se këta njerëz bëjnë ekskursione me shpenzimet e bankës, festa me shpenzimet e bankës, sport me shpenzimet e bankës, nuk mundet që mos të pyesë se kur dreqin e gjejnë kohën këta njerëz për të punuar? Sot Banka e Shqipërisë shpenzon për sport, aq sa ç’ shpenzonte para se të vinte Fullani për dieta.
Është e qartë se buxheti i Bankës së Shqipërisë, në kohën e Fullanit, ka ardhur duke u bërë mekanizëm për vjedhje legale të parave të shqiptarëve. Dhe dëme të tjera u vijnë financave publike nga vendimet e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë të drejtuar nga Fullani, siç janë vendimet e njëpasnjëshme për rritjen e normës së interesit të lekut, që do t’ i sjellin buxhetit të shtetit një humbje prej 100 milion dollarë në vit, pasi çojnë në rritjen e borxhit publik. Kjo rritje justifikohet me nevojën për të frenuar inflacionin, por duket e dyshimtë kur këtë e bëjnë ata njerëz që janë anëtarë të Këshillit Mbikqyrës dhe që i binden Fullanit si kukulla për shkak të beneficeve që u jep ai në buxhetin e Bankës, atyre dhe të afërmve të tyre. Është skandaloze që vendimin për rritjen e normës së interesit në masën 6.25 % e mori një Këshill Mbikqyrës i drejtuar nga një kryetar (guvernatori), pa asnjë kualifikim shkencor, gjë që e pohon dhe vetë në jetëshkrimin e vet zyrta. Është skandaloze që këtë vendim e mori një këshill mbikqyrës i përbërë nga shtatë vetë bashkë me Fullanin (anëtarja Elisabeta Gjoni kishte dhënë dorëheqjen), nga të cilët njëri Arian adare, sipas jetëshkrimit të tij të paraqitur në faqen zyrtare on-line të Bankës së Shqipërisë: është një inxhinier minierash, i diplomuar në Fakultetin e Gjeologji-Minierave të Universitetit të Tiranës dhe që karrierën profesionale e ka filluar në vitin 1986, si inxhinier në Minierën e Kromit në Batër, ku ka punuar deri në 1991, për të vazhduar si pedagog në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, në Universitetin Politeknik të Tiranës, deri në vitin 1993, kur shkoi në Zvicër ku thotë se është bërë master në ekonomi. Është një paradoks, sa ironik aq edhe sinjifikues, që një vendim kaq delikat financiar si ai i rritjes së normës së interesit në masën 6.25% është marrë me votën e një gjeologu që është bërë master në financë (aq sa mund të bëhet një gjeolog i tillë), ndërsa kryetari i Këshillit Mbikqyrës që ka marrë këtë vendim delikat(Fullani), nuk ka asnjë kualifikim shkencor. Vendimi shumë delikat për rritjen e normës së interesit në masën 6.25% u mor veç votës së gjeologut Kadare me votën e anëtarit tjetër të Këshillit Mbikqyrës, Ksenofon Krisafi, jurist i cili ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe njëherësh këshilltar diplomatik i kryeministrit Nano. Ky vendim shumë delikat është marrë me votën Teuta Çuçit, gruas së Leontiev Çuçit, ish-funksionar i lartë i PS, për papërgjegjshmërinë dhe abuzimin e së cilës është provë fakti që në kohën kur ajo mori këtë post, në 2004 dhe jetonte në Zvicër, ku burri i saj ishte ambasador, dhe për të ushtruar funksionin e anëtares të Këshillit Mbikqyrës asaj i paguhej dieta për të udhëtuar me avion nga Zvicra në Shqipëri, çka ishte një shkelje ligjore, se zonja Çuçi, derisa e pranoi vendin e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës, për të cilin paguhej me një rrogë më të madhe se të një ministri, po të donte ta mbante këtë post le të banonte në Tiranë. Vendimi delikat për rritjen e normës së interesit u mor dhe me votën e Adrian Civicit i cili është diplomuar në kohën e komunizmit në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës për ekonomi agrare, në CV e vet në faqen on-line të Bankës së Shqipërisë, nuk e ka vënë këtë fakt (duket për kompleks inferioriteti intelektual), por ka vënë vetëm specializimet që ka bërë jashtë vendit në kohën e tranzicionit. Vendimi tejet delikat për rritjen e normës së interesit u mor dhe me votën e anëtari tjetër i Këshillit Mbikqyrës është Fatos Ibrahimi, i cili mban që nga viti 1997 edhe postin e zëvendësguvernatorit dhe që atëherë u zgjodh se ishte miku i Anastas Angjelit. Ibrahimi hedh firmat që i thonë, duke përfshirë dhe ato për tenderat dhe rri urtë e butë në këtë post prej 11 vjetësh, duke u shërbyer klaneve që ndrrohen. Ndoshta vendimi për rritjen e normës së interesit mund të ketë qenë i drejtë, por kur e shikon se kush e ka marrë këtë vendim, ai nuk duket bindës. Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë të ngjan me bordet e firmave piramidale mashtruese. Sot Banka e Shqipërisë, meriton të quhet firma piramidale mashtruese “Ardian Fullani”. Opozita flet për abuzimet në Rrugën Rrëshen-Kalimash, por hesht për abuzimet e Fullanit në Bankën e Shqipërisë, kur shifra e abuzimit që kur Fullani ka ardhur në krye të kësja banke është më e madhe se shifra e abuzimit, që opozita pretendon se është bërë në kontratën me “Bechtel”. Dhe të mendosh se selinë e Bankës së Shqipërisë, ndryshe firmës piramidale “Ardian Fullani”, PS dhe Edi Rama e kanë para hundës.





