Andrea Stefani «zbulon» misterin e rikthimit të Berishës në pushtet




Nga Kastriot Myftaraj

    Shkrimi i Andrea Stefanit «Misteri i rikthimit të Berishës në pushtet», i botuar në ditoren «Shqip» në 28 janar 2008, mund të mbahet si provë e humbjes së aftësisë së perceptimit nga ana e analistëve pranë PS, posaçërisht pranë kryetarit të saj të tashëm, Edi Rama, të forcave që të brendshme dhe të huaja që sjellin në pushtet ose largojnë nga pushteti liderët dhe partitë në politikën shqiptare. Ose në rastin më të mirë ky shkrim është provë e konfuzionit që ka në entourage të Edi Ramës për shkak se forcat e huaja nuk janë në favor të tyre. Andrea Stefani shkruan: «Nuk qenë të pakët ata që u shtangën nga ringjitja në pushtet e Sali Berishës në korrik të vitit 2005. Dhe jo pa shkak. Vetëm 8 vite më parë nga ky rikthim Berisha ishte larguar nga pushteti duke lënë pas një shtet në kolaps dhe një shoqëri që nuk kish hyrë në luftë civile, vetëm për meritë të një ndërhyrjeje shpëtimtare ushtarake nga Evropa. E gjithë kjo gjëmë i kish rrënjët në tolerimin skandaloz që pushteti u kish bërë disa skemave piramidale, ku humbën kursimet shumica e familjeve shqiptare. Dhe fajtor kryesor për këtë ishte vetë Berisha, i cili, në rolin e një Presidenti autoritarist, kish diktuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e shtetit dhe të ligjit. Si mund të rikthehej në pushtet një politikan që mbante mbi supe përgjegjësinë e një katastrofe? Aq e pamundur ishte një gjë e tillë për një logjikë normale, sa kur një delegacion nga Kosova kish shprehur në Shtëpinë e Bardhë dëshirën për rikthimin e Berishës në pushtet, Presidenti Klinton qe përgjigjur me gjuhën e Heraklitit: Ujërat nuk rrjedhin dy herë në të njëjtat brigje». (gazeta “Shqip”, 28 janar 2008, f. 8)
    Të thuash se Berisha e kishte në dorë t’ i ndalonte firmat piramidale, si dhe të evitonte luftën e 1997-ës në Shqipëri, do të thotë që t’ i atribuosh Berishës aftësi të cilat ai nuk i kishte, pavarësisht se ishte një pushtetar i plotfuqishëm në Shqipëri, në atë kohë. Me aktorët politikë në Shqipëri ndodh ashtu si me pjesëmarrësit në Luftën e Trojës, siç përshkruhet kjo tek “Iliada” e Homerit. Në përshkrimin e Homerit heronjtë ndesheshin në terren me shpata, heshta e gjithçka kishin në dorë, por në fakt ata ishin kukulla të koamnduara me fije në duart e zotave të Olimpit, të cilët e vrojtonin luftën nga lart dhe komandonin veprimet e ndërluftuesve, duke ndihmuar njërin apo tjetrin. Kështu, derisa në terren ndesheshin njerëzit, në fakt ishin zotat që luftonin me anë të tyre. Ngjarjet e 1997-ës në Shqipëri, si dhe ngritja dhe fryrja e firmave rentiere piramidale, i ngjan një tragjedie greke, ku njerëzit shkojnë drejt fatit tragjik duke kryer disa veprime të paracaktuara nga zotat. Ato që u quajtën skema piramidale në Shqipëri, në fakt ishin një mekanizëm pastrimi parash i ngritur nga qendra të fuqishme ndërkombëtare, fuqia e të cilave ishte aq e madhe sa edhe FMN nuk u shpreh kurrë zyrtarisht kundër tyre, nga viti 1991 kur lindën dhe deri në 1996, dhe bëri një deklaratë evazive vetëm në fund të vitit 1996, kur ato ishin duke rënë. Nuk mund të funksiononin këto skema financiare në rast se pas tyre nuk do të qendronin qendra të fuqishme financiare ndërkombëtare, që i ndihmonin ato të bënin të pashqetësuara transaksione të komplikuara bankare. Pas këtyre qendrave misterioze ndërkombëtare, qendronte George Soros, miku i Edi Ramës. Në rast se Berisha do t’ u kishte shpallur luftë skemave piramidale me të ardhur në pushtet në 1992, atë me siguri që do ta kishin vrarë. Kur Berisha u shpalli luftë skemave piramidale në janar 1997, në fakt ato ishin braktisur nga tutorët e tyre misteriozë ndërkombëtarë, dhe Berishës i lanë vetëm koston politike të mbylljes së tyre. Dikush mund thotë se Berisha mund të kishte shmangur megjithatë luftën e vitit 1997, duke pranuar kërkesën ndërkombëtare për të anuluar zgjedhjet e 26 majit 1996. Por në rast se qendrat ndërkombëtare, ose linja të fuqishme në to, nuk e donin luftën e 1997 në Shqipëri, atëherë Berishës në gjysmën e dytë të vitit 1996 do t’ i kishte ndodhur si homologut të tij maqedon Trajkovski, që humbi jetën në një aksident ajror të dyshimtë, apo edhe si të tjerë shtetarëve të vendeve shumë më të fuqishme e të rëndësishme se Shqipëria, si Aldo Moro, Olaf Palme etj., etj.
    Lufta e vitit 1997 në Shqipëri duhej të ndodhte se ajo ishte hallkë e zinxhirit të një procesi gjeopolitik ngjarjesh. Berisha mund ta kishte pësuar shumë më keq në rast se do të përpiqej seriozisht ta evitonte atë që ndodhi në 1997 në Shqipëri. Berisha, i ngujuar në presidencë në mars 1997, në një vend dhe kryeqytet ku të gjitha llojet e armëve ishin në dorë të popullsisë dhe gjithkush që donte qëllonte me to sipas dëshirës, ishte shumë më i sigurt për jetën e tij, se sa do të kishte qenë sikur, për të evituar luftën, të kishte shpallur zgjedhje të reja parlamentare në vjeshtën e vitit 1996. Deklarata e supozuar e Clinton kundër Berishës, të cilën e sjell Andrea Stefani, tregon se të majtët e mernin seriozisht retorikën deontike të ndërkombëtarëve kundër Berishës, kur në fakt ajo ishte një konveniencë e momentit. Në rast se amerikanët në kohën kur fliste Clinton e shikonin Berishën si problematik për shkak të autoritarizmit të tij, këtë e bënin se tashmë në politikën e tyre për Shqipërinë nuk kishte vend për momentin Berisha autoritarist. Gjithsesi kishin qenë vetë amerikanët ata që e kishin përzgjedhur Berishën dikur si interlokutor të parapëlqyer pikërisht për autoritarizmin e tij dhe madje ia kishin ushqyer atë. Është qesharake të mendosh që amerikanët dhe perëndimorët e tjerë u zhgënjyen për shkak se Berisha shfaqi autoritarizëm dhe dhunoi demokracinë kur erdhi në pushtet. Ç’ mund të prisnin tjetër perëndimorët nga një njeri si Berisha që kishte qenë për 22 vjet komunist, para se të bëhej demokrat, madje anëtar i partisë më staliniste të kohës, dhe drejtues i një organizate të madhe partie, derisa në vitin 1990 u bë demokrat? A mund të ndryshonte një njeri në moshën 46 vjeç? Të mendosh se ndërkombëtarët u zhgënjyen nga Berisha, do të thotë t’ i marrësh ata për naivë! Pastaj kë pranuan ndërkombëtarët për alternativë demokratike të Berishës në Shqipëri? Pikërisht partinë nga ku iku Berisha në 1990 dhe që realisht kishte ndryshuar vetëm emrin, pasi një parti ultrastaliniste nuk mund të transformohet, por vetëm mund të shkrihet, siç e tregoi koha. Këtë e tregoi koha derisa PS pranoi që Edi Rama në 2005, pasi u bë kryetar të bëhej autokrat i saj, duke e shndrruar partinë në gardën e tij politike.
   Në një sens të sigurt, rikthimi i Berishës në pushtet në 2005 ishte një lloj kundërshpërblimi që ai u bë caper expiatorius (cjap flijimi) për atë që ndodhi në Shqipëri, me ngritjen e skemave piramidale dhe luftën e vitit 1997. Por sigurisht që Berisha nuk u rikthye në pushtet vetëm për këtë arsye. Andrea Stefani e shpjegon kështu rikthimin e Berishës në pushtet në 2005: «Lumi i politikës shqiptare nisi të rrjedhë mbrapsht dhe ujërat e vjetra u rikthyen duke përmbytur brigjet e pushtetit. Berisha u bë Kryeministër. Si ndodhi një gjë e tillë? Vërtet Berisha kish ndryshuar aq shumë sa nuk ishte më Berisha? Vërtet shqiptarët i kishin harruar pasojat katastrofike të qeverisjes së tij të parë? Vërtet ky rikthim ishte produkt i demokracisë? Dhe nëse jo, atëherë pjellë e kujt qe kjo hata? Analiza e ngjarjeve, si edhe e disa fakteve të reja që po dalin, të bën të besosh se rikthimi i Berishës në pushtet nuk ishte produkt i demokracisë, por pjellë e një pazari të fshehtë mes zotave të derisotëm të politikës, e një pazari mes Nanos dhe Berishës».(gazeta “Shqip”, 28 janar 2008, f. 8) Ta shpjegosh në një analizë rikthimin e Berishës në pushtet në 2005, me tezën e një marrëveshjeje të fshehtë mes Berishës dhe Fatos Nanos, kjo do të thotë që të jesh ose naiv, ose të tallesh me lexuesit e tu. Kjo do të thotë që zhvillimet politike në Shqipëri t’ i shikosh sikur janë në dorën e politikanëve shqiptarë, kur e kundërta është e vërtetë. Duke konsideruar se Shqipëria është një vend i vogël, se është në një rajon ku ka zhvillime gjeopolitike të rëndësisë botërore, ku përplasen fuqitë e mëdha dhe që ndodhin pikërisht në hapësirën shqiptare në Kosovë, se Shqipëria është një hapësirë me rëndësi gjeostrategjike për shkak se këtu parashikohet të kalojnë linja ndërkombëtare të naftës dhe të gazit, është nonsens të mendosh se qendrat e rëndëisshme ndërkombëtare ipatën lënë në 2005 zhvillimet në Shqipëri në dorën e Berishës dhe të Nanos. Fakti që shqiptarët në 2005 votuan për Berishën nuk tregon se ata e kishin harruar atë që ndodhi në 1997, por se shqiptarët e thjeshtë e kishin të qartë në mënyrën e tyre se ajo që ndodhi në 1997 nuk varej nga Berisha, sado që ai ishte pushtetari nr. 1 në Shqipëri atëherë. Atyre në qendrat ndërkombëtare që vendosin për kursin e zhvillimeve politike në Shqipëri dhe që në 1997 nuk u duhej më Berisha, u duhej në 2005. Berisha dhe Nano sigurisht që bënë një marrëveshje të fshehtë në 2005, në prag të ndërrimit të pushtetit, por në këtë marrëveshje ata nuk ishin sovranë, por kukulla të komanduara me fije të kancelarive ndërkombëtare.  
    Në këtë pikë, Andrea Stefani vazhdon të prodhojë nonsense kur shkruan: «Hipoteza e një pazari të fshehtë mes Nanos dhe Berishës u vërdallos në ajër menjëherë pas ndërrimit të pushteteve. Zhvillimet e mëvonshme vetëm e kanë rikonfirmuar atë, duke e shndërruar tashmë në një tezë të frikshme. Dy njerëz që me klanet e tyre dhe lloj-lloj lidhjesh të errëta dalin më të fortë se mekanizmi i demokracisë dhe arrijnë të manipulojnë fatet e vendit. Një pazar i fshehtë del më i fortë se vullneti real i zgjedhësve dhe i gjithë procesi i votimit të një populli figuron si një tender ku fituesi është paracaktuar…Por njëherazi a nuk është edhe një dhunë sa e gjithëfuqishme, aq edhe e padukshme mbi lirinë e votës, mbi vullnetin e popullit? Nëse vërtet ka ndodhur kështu, atëherë pazari Nano-Berisha sado i turpshëm, është pa dyshim një vepër prej zotash. Sepse vetëm zotat mund të diktojnë në fshehtësi vullnetin e një populli apo fatin e një shteti. Por a është misioni i demokracisë të krijojë ca zota që dalin mbi vullnetin e popullit, mbi vetë demokracinë? Nëse vërtet ka pasur një Pazar, kjo flet edhe për dështimin e demokracisë, për gabimin e madh që bënë shqiptarët që pas përmbysjes së kulteve të bronzta të diktaturës, ngritën kultet e gjalla të demokraturës, duke i kthyer përsëri shpinën lirisë».(gazeta “Shqip”, 28 janar 2008, f. 8)
    Pazari, siç e quan me një term kurioz osman “oksidentali” Andrea, ose më saktë marketingu politik mes Nanos dhe Berishës në 2005 nuk ishte ndonjë atentat kundër demokracisë në Shqipëri, për faktin e thjeshtë se kjo demokraci nuk ekzistonte as para kësaj ngjarjeje dhe as pas saj. Nuk mund të ekzistojë demokracia në një vend ku njëra nga dy partitë e mëdha është ish-partia komuniste staliniste që ka ndryshuar emrin, dhe partia tjetër ka në krye një njeri që deri në moshën 46 vjeç ka qenë komunist stalinist, për mos të folur këtu për partitë e tjera që nuk janë më ndryshe. A mund të kishte demokraci në Gjermaninë Perëndimore pasluftës nëse Partia Naziste do të ndërronte emrin dhe do të mbetej në politikë si parti e madhe, ndërsa në krye të partisë tjetër të madhe të ishte një anëtar për 22 vjet i Partisë Naziste? Sigurisht që jo, dhe e njëjta gjë vlen dhe për Shqipërinë.  Këtë ndërkombëtarët e dijnë mirë, prandaj Berisha rikthehet në pushtet, dhe Edi Rama tolerohet, madje nxitet prej tyre ta kontrollojë partinë si autokrat. Pazari Nano-Berisha në 2005 nuk tregon dështimin e demokracisë që realisht nuk ekzistonte dhe nuk ekziston ende, por funksionimin e skemave ndërkombëtare për Shqipërinë. Pastaj, çfarë donte Stefani, që Nano të fitonte zgjedhjet e vitit 2005 dhe të mbetej në pushtet, me Berishën si kryetar të opozitës? Se Berisha nuk do të largohej nëse i humbte zgjedhjet e vitit 2005, se edhe sikur të donte të largohej nuk do ta lejonin ndërkombëtarët. Ashtu siç nuk do të largohet Rama nëse i humb zgjedhjet e vitit 2009, edhe pse statuti i partisë parashikon dorëheqjen e kryetarit nëse partia humb zgjedhjet. Por Rama mund ta ndryshojë statutin. Stefani në anën tjetër nuk përdor këto kategori analitike për të shqyrtuar mënyrën se si erdhi Edi Rama në krye të PS, duke u katapultuar në krye të një partie teserën e së cilës e mori vetëm dy vjet para të bëhej kryetar. Cili qe ai mekanizëm i fshehtë që i detyroi delegatët e kongresit të PS në tetor 2005 që të zgjidhnin Edi Ramën kryetar një ditë pasi ia kishin refuzuar me votë platformën e paraqitur prej tij? A nuk është kjo tallje me demokracinë dhe një “vepër prej zotash”, siç shprehet Stefani më lart?
    Ajo që e shqetëson Stefanin është efekti që ka Pazar Nano-Berisha tek e majta, në perspektivën e rikthimit të saj në pushtet: «Natyrisht Berisha po luante për bukuri Cezarin për të përçarë PS dhe dobësuar liderin e ri dhe rivalin real politik Edi Rama, por ndërkaq, jo pak vetë e perceptuan "kompromisin historik" si vazhdim të një pazari të fshehtë mes Nanos dhe Berishës. Me kohë ishte bërë e qartë se Nano dhe Berisha nga armiq ishin shndërruar në vëllezër siamezë, se vdekja politike e njërit do të sillte edhe fundin e tjetrit… Sepse Berisha nuk mund të rikthehej në pushtet, por edhe nuk mund të qëndrojë gjatë në pushtet, pa ndihmën e Nanos. Kjo ndihmë ka një emër: përçarje e së majtës».(gazeta “Shqip”, 28 janar 2008, f. 8)
    U mor vesh, shqetësimi i Stefanit është në fakt shqetësimi i Edi Ramës, i cili trembet se efekti “Nano”, i kombinuar me largimin e aleatëve të tij, duke përfshirë dhe Ilir Metën për shkak të reformës zgjedhore dhe moskënaqjes së ambicjes së Ilir Metës për t’ u shpallur si kandidati për kryeministër i opozitës në 2009, do të bëjë që opozita e majtë të humbë zgjedhjet e vitit 2009. Nëse përçarja e se majtës nga Berisha qenka diçka e keqe, atëherë po kaq i keq është diversioni që ka bërë dhe bën e majta dhe analistë pranë saj si Stefani, për përçarjen e krahut tjetër, duke nxitur konfliktin mes Berishës dhe Topallit, apo mes Berishës dhe Topit. Më poshtë Stefani tregon se nuk e ka hallin tek demokracia kur i bën Nanos akuzën e militantëve enveristë të majtë dhe të Edi Ramës se i dorëzoi pushtetin Berishës në 2005. Stefani shkruan: «Më së fundi është një pohim i Ali Ahmetit, bërë ca ditë më parë në emisionin "Top Shoë" të Alban Dudushit. Ahmeti pohoi se përpara se të bëhej transferimi i pushtetit në Shqipëri, ishte thirrur për një vizitë nga Kryeministri Nano, i cili i kish pohuar ndër të tjera se ‘...pavarësisht se çfarë them unë, zgjedhjet i kam të humbura’. Ishte ky sinqeritet i Nanos një pasqyrë realiste e betejës elektorale, apo rrëfimi i një pazari tashmë të vulosur? Vetë rezultati i zgjedhjeve të 5 korrikut nuk e justifikon pesimizmin e Nanos, sepse e majta mori në total më shumë vota krahasuar me fituesit. Por edhe sikur vërtet shenjat, sondazhet t‘i parathonin Nanos se do të humbte, kjo nuk e lehtëson qëndrimin e tij. Përkundrazi, shton dyshimet se Nano ka ecur në mënyrë të ndërgjegjshme drejt humbjes, duke ja falur fitoren Berishës. Ndryshe do të kish bërë gjithçka për të shmangur humbjen, qoftë edhe duke gjetur një gjuhë të përbashkët me LSI dhe Ilir Metën. Por mesa duket, mosmarrëveshja deri në fund me LSI do të ishte një nga alibitë që do ta paraqiste më bindëse humbjen e së majtës, duke fshehur pazarin misterioz».(gazeta “Shqip”, 28 janar 2008, f. 8)
    Në zgjedhjet e vitit 2005 e majta mori vërtet në total më shumë vota, por ajo që nuk duhet harruar është se partia kryesore e së majtës, PS, e cila u dha vota me anë të skemës së “Dushkut” dhe partive aleate, nuk mund të mburret me një arritje të tillë, sa kohë që ajo vuan mëkatin origjinal të vitit 1991, kur PPSH ndërroi emrin në vend që të shpallte fundin e vet dhe të krijohej një parti e re. Nga ky mëkat origjinal vuan dhe një partie re si LSI, kryetari i së cilës del në zgjedhje me sloganin “E kuqja do fitojë!” Ndërkombëtarët, të cilët e pranuan PS si partner me gjithë mëkatin e saj origjinal, nuk mungojnë që t’ ia kujtojnë kur duhet që ta bëjnë të lëshojë pushtetin, siç ishte rasti në 2005. Ai që Stefani e quan “Pazar misterioz” i vitit 2005 kishte të bënte në fakt me atë se qendrave ndërkombëtare në 2005 u konvenonte të vinte në pushtet Berisha, se ai shihej si njeriu ëm i përshtatshëm për të ndërtuar rrugën me rëndësi strategjike Durrës-Kukës, si dhe për të zbatuar projekte si “AMBO”, “Petrolifera”, apo kompleksi i TEC-ve në Vlorë. Nano, duke e ditur se reagimin e kujt forcave shkaktonte zbatimi i këtyre projekteve, nuk parapëlqeu të mbetej në pushtet dhe t’ i zbatonte ato. Ardhja e një zyrtar i lartë perëndimor në Tiranë disa ditë para zgjedhjeve, i shërbeu Nanos për t’ u thënë të vetëve në mënyrë bindëse që mos të bënin shaka me zgjedhjet se do të kishin pasoja të rënda.  
    Stefani më tutje shkruan: «Ndërkaq, rikthimi i Berishës si produkt i një komploti i të fortëve të politikës në kurriz të demokracisë, denoncohet edhe nga të tjera sinjale edhe më të hershme. Një nga ato është rikthimi te Berisha i shumë prej atyre që Berisha i kish flakur nga PD duke i shpallur agjentë, të korruptuar, armiq, karrigethyer. Shumë nga kjo racë politike bastarde që përmbylli rikthimin dhe gjunjëzimin para Berishës me "xhuvelërinë", vetëm ca pak muaj më parë e denonconin Berishën autoritarist dhe të pandreqshëm… Duket se hunda e këtyre nuhatësve të hollë dhe të përjetshëm të pushteteve, ndjeu afshin e çorbës së pushtetit që po gatuhej në kazanin e dy kuzhinierëve të mëdhenj».(gazeta “Shqip”, 28 janar 2008, f. 8) U mor vesh, kundërshtarët e Berishës në PD në vitet 1991-2005 nuk kanë qenë njerëz idealistë, por gangsterë politikë, që nuk kanë përbërë ndonjë alternativë për të qenë ndaj berishës. Ndërkombëtarët e kanë ditur mirë këtë dhe kjo është një nga arsyet që ata nuk e kanë detyruar Berishën të largohet. Dhe pastaj a nuk vlen ajo që thotë Stefani dhe për Spartak Ngjelën apo Gilman Bakallin që u bënë kundërshtarë të Berishës kur ai nuk u dha postet që prisnin? E pra, Stefani i ka hymnizuar këta si bartës të vlerave në PD.
    Në fund të shkrimit të vet, Stefani cek paksa forcat që vërtet përcaktojnë zhvillimet politike në Shqipëri, kur shkruan për rithimin e Berishës në pushtet në 2005: «Përpiqet të justifikohet një rikthim i tillë me interesa më globale, me interesat e "fuqive të mëdha" apo të vogla. Spekulohet deri edhe me lobime masonike në kancelaritë e botës. Ndoshta këto mund të kenë qenë faktorë, por nëse vërtet kanë ndikuar, kjo ka ndodhur për shkak të dobësisë së demokracisë shqiptare. Të gjitha janë forma të rrëmbimit të fateve të një populli nga duart dhe vota e një populli. Sepse nuk janë ‘fuqitë’ dhe ‘masoneritë’ ato që kanë krijuar demokracinë, por demokracitë që kanë krijuar ‘fuqitë’ dhe mundësuar masoneritë. Përmbysja e këtij raporti prodhon forma të ndryshme të despotizmit dhe autokratizmit që tentojnë ta vrasin demokracinë. Dhe a nuk po ndodh kështu?» (gazeta “Shqip”, 28 janar 2008, f. 8)
    A thua vërtet i beson Stefani këto idiotizma që shkruan, apo idiotizmi analitik është tributi që ai paguan për të qenë analist i paguar i Edi Ramës? Veprimi i forcave të huaja në politikën shqiptare nuk tregon dobësinë e demokracisë shqiptare, se kjo e fundit as ka ekzistuar dhe as ekziston, por tregon realitetin e një vendi dhe populli të vogël fati i të cilit është i ngërthyer në nyjen e interesave të fuqive të mëdha. Është utopi të besosh se demokracia do ta nxirrte Shqipërinë nga një situatë e tillë, se duhej që Shqipëria dhe shqiptarët të zhvendoseshin në një planet tjetër që të ndodhte kështu. Çështja është se a është në favor të interesave shqiptare influenca e e huaj në Shqipëri ose jo. Për fat të mirë, Berisha i riardhur në pushtet është i dëgjueshëm ndaj qendrave ndërkombëtare interesat e të cilave përputhen me ato nacionale shqiptare, dhe për fat të mirë Berisha po zbaton pa hezitim projektet e këtyre qendrave, si Rruga Rrëshen-Kalimash dhe projektet energjitike në Vlorë. Se Berisha e bën këtë gjë duke qeverisur në stil autokratik kjo pak rëndësi ka. Pak rëndësi do të kishte nëse këtë që po bën berisha do ta bënte Nano, Meta, apo Rama, mjaft që të bëhej. Por ja që Nano, Meta, Rama nuk arritën dot t’ i bindnin amerikanët se mund të bënin atë që po bën Berisha. Dhe nëse nuk do t’ i bindin as në 2009, Berisha do t’ i fitojë dhe zgjedhjet e vitit 2009. Dhe Andrea Stefani do të vazhdojë të vajtojë demokracinë fantomatike shqiptare. Pastaj, kur Stefani flet për influencën e lobimeve masonike etj., në ardhjen e Berishës në pushtet në 2005, pse nuk analizon influencën e tyre në katapultimin politik të Edi Ramës, i cili ka si këshilltar të afërt një hebre që ka deklaruar publikisht se në vitin 1992 ka ardhur në Shqipëri si mbrojtës i interesave hebreje, dhe që ka mbështetjen e hapur të shumë të dyshimtit hebreo-mason, Soros.