Nga Kastriot Myftaraj
Në emisionin “Opinion plus”, në Tv Klan, ditën e hënë, ku të ftuar ishin kryeministri Berisha dhe Hashim Thaçi, për të diskutuar për Kosovën, drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu, bëri një propozim shumë të dyshimte dhe të çuditshëm, kur ra fjala për flamurin e shtetit të pavarur të Kosovës.Blendi Fevziu, tha duke iu drejtuar kryeministrit Berisha, se në mënyrë që të evitohen kundërshtimet që u bëhen shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe të Malit të Zi për përdorimin prej tyre të flamurit shqiptar, se ai është flamuri i një shteti tjetër, Shqipërisë, duhet që të hapet debati për ndryshimin e flamurit administrativ (Blendi Fevziu përdori pikërisht këtë fjalë për flamurin e Shqipërisë) të shtetit shqiptar, duke adoptuar Shqipëria një flamur tjetër të ndryshëm nga ky që ka sot. Kjo tezë nuk ishte dëgjuar ndonjëherë më parë.
Deri më tash ishte dëgjuar të thuhej vetëm se Kosova duhet të adoptojë një flamur tjetër, të ndryshëm nga ai nacional shqiptar, kur Kosova të bëhet shtet i pavarur, në mënyrë që ai mos të jetë ekskluzivisht flamuri i një prej etnive të Kosovës, asaj shqiptare,
pavarësisht se ajo është etnia kryesore. Blendi Fevziu, shprehu një nocion kurrkund të ndeshur, kur bëhet fjalë për shtetet, atë të flamurit administrativ. Fjala “flamur administrativ” mund të ketë kuptim për flamurët e bashkive, apo edhe për flamurët detarë të shteteve (ata që kanë një flamur detar disi të ndryshëm nga ai nacional), por jo kur bëhet fjalë për flamurin shtetëror, që përveç në rastet e federatave është i njëjtë me atë nacional. Flamuri shqiptar është flamur nacional i nacionit (kombit) shqiptar, do të thotë i shqiptarëve që banojnë në hapësirën nacionale shqiptare, në dy anët e kufirit, ashtu edhe flamur i shtetit shqiptar, brenda kufijve të të cilit është vetëm një pjesë e hapësirës nacionale shqiptare. Në këtë shqiptarët ngjajnë me serbët, se edhe flamuri nacional serb, trengjyrëshi kuq-blu-bardh është flamur nacional i nacionit (kombit serb), ashtu edhe flamur shtetëror i Republikës së Serbisë. Këtë flamur e përdorin serbët në Republikën Serbe të Bosnjë-Herzegovinës, Malin e Zi, Kroaci, Maqedoni, Kosovë. Kurrkujt në Beograd nuk i ka shkuar ndërmend të thotë se Serbia duhet të abandonojë flamurin shtetëror që ka sot, për të adoptuar një flamur tjetër, në mënyrë që serbët në Bosnjë-Herzegovinë, Kroaci, Malin e Zi, Maqedoni, të mbajnë flamurin nacional serb, pa u akuzuar se po përdorin flamurin e një shteti tjetër.
Madje, edhe kur Republikës Serbe të Bosnjë-Herzegovinës, iu dha statusi i një shteti Brenda një federate të çlirët, kurrkush nuk i kërkoi asaj që të adoptonte një flamur tjetër të republikës, të ndryshëm nga ai nacional serb. Edhe pse Republika Serbe e Bosnjë-Herzegovinës është më tepër shumëetnike se Kosova (në Republikën Serbe të Bosnjë-Herzegovinës 88% e popullsisë janë serbë), megjithatë asaj nuk ju kërkua që të adoptojë
një flamur që të ketë dhe simbole të etnive të tjera, dhe as serbët e Bosnjë-Herzegovinës nuk paraqitën ndonjë projekt të tillë. Shqiptarët e Kosovës nuk kanë arsye që të tregohen më “bujarë” në këtë çështje se serbët e Bosnjë-Herzegovinës, të cilëve këtë të drejtë ua kanë njohur ndërkombëtarët. Blendi Fevziu duhet ta dijë se e drejta e përdorimit të flamurit nacional shqiptar u është njohur shqiptarëve të Maqedonisë me Marrëveshjen e Ohrit, e cila është hartuar dhe firmuar nën mbikqyrjen e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët e dinin mirë se flamuri i shqiptarëve të Maqedonisë, është edhe flamuri shtetëror i Republikës së Shqipërisë. Me atë që tha Blendi Fevziu justifikoi vendimin e gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, për ndalimin e përdorimit të flamurit shqiptar, veç ditëve të festive, me arsyetimin se ai është flamuri i një shteti tjetër, Republikës së Shqipërisë, vendim që përbën një dhunim institucional të Marrëveshjes së Ohrit. Me këtë gjë Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë e ricikloi krizën në Maqedoni, duke qenë se kriza në Maqedoni që çoi në luftën e vitit 2001 u shkallëzua pas një vendimi të ngjashëm të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë në vitin 1997, që çoi në konfrontime mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe shtetit të kontrolluar nga sllavo-maqedonët.
Blendi Fevziu, duke kërkuar me buzëqeshjen idioteske që ka kur i duket se po thotë ndonjë gjë shumë të zgjuar, që Republika e Shqipërisë të ndryshojë flamurin shtetëror, që është edhe flamuri nacional shqiptar, hap në fakt “Kutinë e Pandorës”. Blendi Fevziu nuk mundet mos ta dijë se nëse do të hapej ky debat në nivel zyrtar, nga qeveria dhe parlamenti, atëherë do të krijoheshin implikime nga më të rëndat. Përfaqësuesit politikë të minoriteteve, dhe të bashkësive që pretendojnë të marrin statusin e minoritetit, do të kërkonin që flamuri i ri shtetëror shqiptar të ishte shumëetnik dhe në të të kishte dhe simbolikë të këtyre minoriteteve, në varësi të madhësisë së tyre. Për këtë gjë sigurisht që nuk do të mungonin që t’ i referoheshin dhe modelit britanik, të “Union Jack”, siç quhet flamuri britanik që është një bashkim flamurit historik të Anglisë dhe Uellsit (me fushë të bardhë ku është një kryq i kuq-i Saint George), Skocisë (kryqi blu diagonal i Saint Andrew), si dhe simboli irlandez (kryqi diagonal i kuqi Saint Patricks). Madje nuk do të mungojnë t’ i referohen dhe faktit që qeveria britanike ka pranuar që ridizenjojë flamurin britanik për të shtuar dhe një symbol nga Uellsi, i cili kur u bë “Union Jack”, në 1606 si version i parë dhe në 1801 si versioni që është dhe sot, nuk u përfaqësua se ishte pjesë e Mbretërisë së Anglisë që nga viti 1282. Sot Uellsi ka dizenjuar një flamur të vetin me kryqin e Saint David, dhe dragonin e kuq symbol historik të Uellsit, për të cilin pretendon që të përfaqësohet dhe në flamurin britanik. Në 27 nëntor 2007, pra para jo më shumë se tre javësh ministrja britanike e kulturës, Margaret Hodge, deklaroi se qeveria do të konsiderojë ridizenjimin e flamurit britanik që të përfshihet dhe simboli historik uellsian, dragoni i kuq.
Në Shqipëri, rishikimi i flamurit shtetëror, me ç’ rast do të lindnin pretendimet për përfaqësim nga minoritetet e vërteta dhe të rreme, do të hapte, në mënyrë të paevitueshme debatin se cilat janë minoritetet në Shqipëri, sa është numri i tyre, pra do të çonte tek kërkesa për kryerjen e një regjistrimi të popullsisë mbi bazë etnike, që dëshirohet aq shumë nga Greqia, por që këtë herë do të kërkohet të bëhet me alibinë e nevojës për të ditur se sa vend duhet t’ i jepet secilit minoritet në flamur. Kështu në flamur do të kërkojnë të kenë një shenjë të gjitha minoritetet e njohura: grekët, maqedonët, serbët apo malazezët. Gjithashtu, me këtë rast do të pretendojnë edhe romët dhe të ashtuquajturit egjiptianë të kenë simbolin e tyre në flamur, rrotën e qerres apo diçka të tillë, e kështu me radhë. Flamuri shqiptar do të dilte një konfiguracion qesharak, me të cilin do të tallej bota. Kështu, në kohën që Kosova është në momentin më delikat të historisë, Republika e Shqipërisë do të hynte në një proces precipitimi, që sigurisht do të kishte influencë destruktive dhe në Kosovë. A i parashikon të gjitha këto Blendi Fevziu? Ky njeri nuk është aq idiot sa duket kur buzëqesh ndërsa i thotë këto gjëra, që të thuash se nuk i kupton. Ai i kupton mirë, por i bën se është i porositur që t’ i bëjë.
Gjëra si kjo që thotë Fevziu e kanë proveniencën vetëm në Beograd, Athinë dhe Moskë, në zyrat që planifikojnë shpërbërjen e Republikës së Shqipërisë, si mënyra më e mirë për të penguar që procesi i shkëputjes së Kosovës nga Serbia të finalizohet, me atë që në Beograd dhe Moskë e dinë mirë se do të ndodhë, me bashkimin e Kosovës me Republikën e Shqipërisë. Blendi Fevziu bëhet thjesht kumtues i paguar i këtyre ideve serbe dhe ruse, ashtu si gjyshi i vet, që u vra në një sherr për llogaritë e vjetra të parave të paguara nga shërbimi sekret serb. Blendi Fevziu, njeriu që ka ndryshuar tre mbiemra në kohën e diktaturës komuniste (Starova, Bregasi, Fevziu), dhe që sot ende nuk ka marrë mbiemrin e babës së vet, por mban atë të dajës (ndoshta edhe sepse kwshtu kishte bërë gjyshi i tij nga babai i cili e ndryshoi mbiemrin nga “Hysenbegasi” në “Starova” në vitet njëzet), mendon se shqiptarët mund ta ndryshojnë flamurin që është simbol i identitetit nacional, ashtu sic ka ndryshuar mbiemrat. Berisha ka një përgjegjësi të madhe që mban pranë një njeri si Blendi Fevziun, që thotë gjëra të tilla. Shqiptarët në anën tjetër të kufirit, në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi dhe Republikën e Preshevës, mund ta përdorin lirisht flamurin nacional shqiptar, pavarësisht se ai është edhe flamuri shtetëror i
Republikës së Shqipërisë. Në rast se kjo gjë nuk u pëlqen të tjerëve, atëherë shqiptarët e këtyre trojeve tej kufirit të 1913 kanë të drejtë t’ u thonë maqedonëve, malazezëve etj., se në rast se ju nuk e doni këtë gjë, atëherë ju nuk e doni shtetin e përbashkët dhe ne nuk na mbetet veçse t’ i bashkojmë trojet ku jemi shumësi e popullsisë, me Republikën e Shqipërisë, duke krijuar shtetin e bashkuar nacional shqiptar, meqë ju nuk doni shtetin e përbashkët shumëetnik.
Madje edhe në Kosovë është gabim që flitet përsëri për një flamur të ri të Kosovës, që kjo e fundit do ta adoptojë kur të bëhet shtet i pavarur. Ky lëshim i tepruar pot ë konsiderojmë se serbët e Bosnjë-Herzegovinës ruajtën flamurin nacional serb për shtetin e tyre, kishte megjithatë kuptim veç nëse serbët e Kosovës do të pranonin që Kosova të bëhej shtet i pavarur. Por tashmë që serbët e Kosovës nuk e pranojnë këtë gjë, dhe ata nuk e njohin flamurin e ri të Kosovës, ky lëshim është i panevojshëm dhe i dëmshëm. Se mund të kërkojnë dhe turqit, romët, të ashtuquajturit egjiptianë të Kosovës që në flamurin
shtetëror të Kosovës të jetë dhe një simbol i tyre, kështu që do të ndodhë që në flamurin e Kosovës të hyjnë gjysmëhëna dhe rrota e qerres. Blendi Fevziu tregoi një entusiazëm shumë të madh për hapjen e debatit për ndryshimin e flamurit shqiptar, dhe tha se është gati që ta bëjë këtë gjë. Ndërsa Berisha dhe Thaçi mbajtën një heshtje skeptike, asnjë prej gazetarëve që ishin të ftuar, nuk e kundërshtoi. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur të ftuar ishin sorosiani Remzi Lani, i cili nuk merrej vesh pse ishte ftuar si analist për Kosovën, kur ai nuk shkruan asnjë rresht prej vitesh, as për Kosovën dhe as për ndonjë çështje tjetër, Andi Bushati, i cili ka një vit që nuk shkruan as artikujt e tij shumë të shkurtër, dhe që për Kosovën ka shkruar më pak se për Irakun, apo Armand Shkullaku, i cili ishte atje vetëm se punon në Tv Klan. Nuk duhej pritur që ta kundërshtonte as i ftuari tjetër, Skënder Minxhozi i cili është rritur në një familje ku i është kultivuar dashuria për Kamboxhian apo Tibetin, por jo ajo për kombin shqiptar, e as për Kosovën, duke qenë se babai i tij, Ymer Minxhozi është njeriu që u ngarkua nga regjimi komunist të shkruante libra për Kamboxhian dhe për luftën e komunistëve të saj kundër amerikanëve, si dhe për Tibetin. Të gjithë këta njerëz janë gati ta shesin flamurin shqiptar për udhëtim të paguar turistik në një resort luksoz në pushimet verore, dhe pastaj të pendohen vetëm se nuk kërkuan edhe një kroçerë si shtesë.
2007