Astrit Patozi, njeriu pa të tashme, që fsheh të shkuarën




Nga Kastriot Myftaraj

    Nëse do të parafrazoja atë shprehjen që Dizraeli (Lord Beaconsfield) tha në një rast për një politikan, duke e quajtur «një hije e habitshme jetëshkurtër», unë do ta quaja Astrit Patozin «një hije e habitshme jetëgjatë». Astrit Patozi është «një hije e habitshme» se ai, sa më lart që ngjitet në hierarkinë e PD, aq më hermetik bëhet dhe fsheh të shkuarën e vet, dhe sa më i paaftë tregohet në detyrat që i ngarkohen në PD, aq më tepër bën karrierë. Nëse do të hapni faqen on-line të Kuvendit të Shqipërisë, ku jepen jetëshkrimet e deputetëve, që janë bërë sipas të dhënave të paraqitura nga vetë deputetët për veten, në vetën e tretë, do të gjeni këto të dhëna për Astrit Patozin:
Astrit Hiqmet Patozi
Të dhëna vetjake:
Adresa:  Bul. "Zogu I", Pall.1, Tiranë. 
Edukimi:             
Universiteti i Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, Dega Gjuhë-Letërsi.
Veprimtaria profesionale:
Profesioni: Gazetar.
1992-1995: gazetar në ATSH dhe më pas në Gazetën "Rilindja"; 1995-1997: Kryeredaktor i Gazetës "Albania"; 1997-2005: Kryeredaktor i Gazetës "Rilindja Demokratike".
Veprimtaria politike:
1997 e vazhdim: anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së; 2002 e vazhdim: anëtar i Kryesisë së PD-së; 1997 e 2001: kandidat për deputet .
Zgjedhur në:
Legjislatura:        XVII
Zona zgjedhore:  44
Qarku:                   Tiranë
Nr. i votave:          6978      
Përqindja:            51,9%
Grupi dhe komisionet parlamentare:
Grupi parlamentar:            PD
Komisioni parlamentar:Komisioni për Politikën e Jashtme, anëtar.
Publikime : Artikuj të shumtë që nga viti 1991 deri në vitin 2005 në fushën e publicistikës botuar në shtypin e shkruar.
    Nëse do të shikoni jetëshkrimin e deputetëve të tjerë, do të gjeni në fillim të dhëna për për datëlindjen, vendlindjen, siç është e natyrshme në çdo jetëshkrim. Por, siç e shikoni Astrit Patozi nuk  parapëlqen të japë për veten të dhëna të tilla. Pse Astrit Patozi nuk tregon as moshën dhe as vendlindjen? Ai e bën këtë se jeton me kompleksin e panikut nga e shkuara e vet, të cilën kërkon ta fshehë. Atij i duket se nëse do të japë të dhëna të sakta deri edhe për datëlindjen dhe vendlindjen, njerëzit do të bëjnë lidhjen me disa histori që qarkullojnë për të, se ai nuk është aq i ri sa pretendon (i datëlindjes 1966), se nuk ka lindur në qytetin e Kavajës, por në fshatrat e saj ku babai i tij punonte si mësues, dhe se Astriti ka shumë bëma që ai parapëlqen t’ i fshehë në këto fshatra, para se të vinte në qytetin e Kavajës, ku ka dhe bëma të tjera. Astrit Patozi ka thënë për veten se ai vjen nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist. Kjo është e vërtetë, por historia e tij është e dyshimtë. Së pari vetë mbiemri “Patozi” është i çuditshëm, krejt i rrallë në Shqipëri, dhe që duket si i sajuar. Dhe me të vërtetë, ai nuk ka qenë mbiemri i vërtetë i familjes. Ashtu siç bënin shumë të persekutuar, që ndryshonin mbiemrat dhe vendbanimin për t’ i shpëtuar sadopak persekutimit, edhe paraardhësit e Astritit lanë fshatin Çermë të Lushnjës dhe mbiemrin e tyre të parë “Çerma” dhe morën mbiemrin “Patozi”, që ishte një modifikim i fjalës “Patos”, ku ata tentuan pa sukses të vendosen. Në atë kohë ka pasur shumë histori të tilla të çuditshme, prandaj kjo nuk duhet të na habisë sot. I ati i Astritit u martua në Kavajë dhe u vendos atje, duke punuar si mësues. Në jetëshkrimin e vet Astrit Patozi nuk tregon se ku ka punuar para vitit 1990. Në jetëshkrimin e vet ai parapëlqen të thotë se profesioni i tij është gazetar dhe si të parin vend ku ka punuar thotë ATSH, ku ka filluar punë në vitin 1992. Por ku ka punuar Astrit Patozi më parë, posaçërisht para vitit 1990? Ai nuk parapëlqen të japë të dhëna për këtë. Pse nuk thotë i pasionuari pas transparencës Patozi se para vitit 1990 ka punuar në SMT si mekanik, apo se edhe këtu duhet të shpjegojë se përse nuk punonte si të përsekutuarit e tjerë, si punëtor krahu në fermë?
    Siç shikohet në jetëshkrimin e Astrit Patozit, për shkollimin e tij thuhet: “Universiteti i Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, Dega Gjuhë-Letërsi”. Por nuk thotë asgjë për kohën se kur e filloi dhe kur e mbaroi shkollën, që e ka bërë me korrespondencë. Dhe këtë informacion nuk e jep se nuk do që të tregojë se se të drejtën e studimit, siç thuhej në atë kohë, e ka marrë në kohën e regjimit komunist, në vitin 1989, çka do të dukej kompromentuese me biografinë që kishte dhe që sipas standardeve të regjimit ishte e keqe. Në atë kohë, me fillimin e procesit të ndryshimeve politike në Europën Lindore regjimi komunist shqiptar tregoi disa shenja zbutjeje në luftën e klasave, por kjo u bë vetëm ndaj njerëzve nga të cilët regjimi pati siguruar garanci absolute, në mënyrën që ai regjim dinte ta bënte këtë gjë. Kjo dhe për faktin se pjesa më e madhe e njerëzve nga shtresa e të persekutuarve politikë që morën të drejta studimi në shkollën e lartë në vitet 1989-1990 rezulton që pas instalimit të pluralizmit politik bënë karrierë në politikë dhe në të ashtuquajturën shoqëri civile, si kolegia e Patozit, nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli, që atë vit mori të drejtën e studimit për matematikë. Patozi nuk tregon as datën se kur e përfundoi shkollën e lartë, por e vërteta është se diplomën e ka marrë vetëm në vitin 1995.
    Ndryshimi i sistemit në vitin 1991 e gjeti Astrit Patozin mekanik në SMT(Stacioni i makinave dhe traktorëve) të Kavajës. Në PD e Kavajës, ku e mbështeste Halit Shamata, i cili kishte me Astrit Patozin një lidhje shumë të afërt krushqie, Astrit Patozin e shikonin me dyshim për bëmat e tij. Në fillim të kësaj jave gazeta “Korrieri” botoi një listë ku ishin akuzuar me emër dhe mbiemër disa politikanë si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, midis të cilëve ishte dhe emri i Astrit Patozit, me pseudonimin «Alfons Ballsha». Rëndom, në shtyp janë botuar pseudonime ish-bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit dhe janë bërë aluzione për emrat e politikanëve që u përkasin ata, duke përfshirë dhe pseudonimin «Alfons Ballshi», por shumë rrallë janë botuar pseudonimet dhe emrat që u korrespondojnë. Duket se operativi është frymëzuar nga mbiemri «Patozi» (Patos), të cilin e ka shndrruar në «Ballsh», ndërsa emrin «Astrit» e ka shndrruar në «Alfons». Në çdo vend normal, minimalja që të akuzuarit do të reagonin publikisht, e megjithatë ata heshtën, duke përfshirë dhe Astrit Patozin.
    Në vitin 1991 Astrit Patozi ishte ende duke dhënë provimet e vitit të parë universitar me korrespondencë në gjuhë-letërsi. E megjithatë ai e quajti këtë të mjaftueshme për t’ u vetëkonsideruar intelektual dhe për të hyrë në degën e Kavajës të Shoqatës së Intelektualëve Islamikë. Babai i tij kishte qenë një nga nismëtarët e hapjes së xhamive në Kavajë dhe të krijimit të strukturave të Komunitetit Musliman atje, duke u bërë më pas dhe drejtor i Medreses së Kavajës, ndërsa tash është drejtor i Medreses së Tiranës. Kur PD erdhi në pushtet, në 1992, Astrit Patozi, i cili atëherë ishte në vitin e dytë të universitetit me korrespondencë, u vendos në Tiranë, ku me ndihmën e Halit Shamatës, që tashmë ishte bërë deputet, filloi punë si gazetar në ATSH, ku punoi në vitet 1992-1995. Kështu Astrit Patozi u bë gazetar në ATSH para se të bëhej realisht gazetar. Në ATSH u bë mik me Mero Bazen, që gjithashtu atë vit filloi punë atje. Pas ndryshimit të sistemit politik, Astrit Patozi nuk e pa të arsyeshme të rimerrte mbiemrin e vërtetë të familjes, por mbajti atë «Patozi». Në vitin 1994, kur filloi të botohet dhe në Tiranë gazeta «Rilindja» që para vitit 1990 dilte në Kosovë, Astrit Patozi dhe Mero Baze filluan të punojnë dhe tek ajo, por për shkak të intrigave që bënë atje, i dëbuan shumë shpejt. Në vitin 1995 filloi të botohet në Tiranë gazeta «Albania», e cila atëherë financohej bashkarisht nga qeveria e Kosovës (e kryesuar nga Bujar Bukoshi) dhe nga disa biznesmenë të afërt me PD në pushtet atëherë. Midis Bukoshit dhe berishës u bë kompromisi që drejtorin ta caktonte Berisha, ndërsa kryeredaktorin ta caktonte Bukoshi. Berisha caktoi drejtor Ylli Rakipin, ndërsa Bukoshi caktoi kryeredaktor Nexhmedin Spahiun, një gazetar nga Kosova, që atëherë jetonte në Tiranë dhe shkruante në gazetat e Tiranës. Por Mero Baze, i cili donte të ishte analisti kryesor tek «Albania», e kishte zili dhe e urrente Spahiun, i cili atëherë ishte dalluar në shtypin e Tiranës për artikuj me nivle të lartë. Mero Baze, i cili atëherë kishte shumë influencë tek Berisha dhe tek Gazidede, intrigoi që Spahiu të largohet nga vendi i kryeredaktorit të gazetës «Álbania» dhe në vend të tij të emërohet Astrit Patozi, gjë që ndodhi disa javë pasi gazeta filloi të dalë në shtator 1995. Për t’ i kuptuar përmasat e kësaj intrige duhet ditur se në atë kohë, kur ende kishte shumë pak gazeta të përditshme, «Albania» ishte e vetmja gazetë e përditshme, «e pavarur» pranë PD, dhe për këtë gazetë po investoheshin shumë para që të fuqizohej dhe të kundërbalanconte gazetën «Koha Jone», që atëherë ishte gazeta më e madhe në vend, dhe që ishte pranë opozitës së majtë. Të gjithë u habitën kur Astrit Patozi, i cili deri më atëherë ishte parë si një gazetar mediokër, u bë kryeredaktor i gazetës më të madhe pranë PD.
    Atëherë «Albania» merrte shumë para nga firmat piramidale, siç ka thënë vetë Mero Baze, në debatin e ashpër që pati para disa vjetësh me drejtorin e kësaj gazete Ylli Rakipi. Mero Baze, me cinizmin e tij, kështu denigroi jo vetëm Ylli rakipin, por edhe mikun e vet Astrit Patozin, por edhe vetveten Meroja, se atëherë Mero Baze ishte analist-kapuçan në këtë gazetë, siç e quajti Ylli Rakipi, se zyrtarisht punonte tek “Zëri i Amerikës”, ndërsa në mënyrë klandestine shkruante tek “Albania”. Drejtuesit e firmave piramidale e financonin gazetën se donin të siguronin favoret e pushtetit, në shërbim të të cilit ishte kjo gazetë. Atëherë në zyrat e kësaj gazete ishin mysafirë të nderuar Vehbi Alimuça dhe Rrapush Xhaferri. Këtij të fundit, duke qenë se kishte dobësi për rrushin, Astrit Patozi i sillte menjëherë një arkë me rrush sa herë që shkelte në redaksi, dhe i derdhnin paratë lumë për “Albanian” tonë, siç thoshte gjeneral Xhaferri. Patozi, me duart e veta, ia lante bistakët e rrushit “gjeneral” Rrapush Xhaferrit në çezmën e banjës së redaksisë së “Albania”. Nga ky lumë parash, që derdhte Alimuça dhe Xhaferri tek gazeta jo pak përfunduan në xhepat e Patozit dhe të Bazes, me të cilat ata vunë bazat e pasurisë së tyre. Me këto para dhe me të tjera të fituara në afera kontrabande të bëra me autoritetin e bosëve të “Albania”-s, Patozi dhe Baze jetuan mirë dhe ndërtuan vila e blenë apartamente dhe dyqane, gjatë kohës që PD ishte në opozitë dhe kur Berisha shpalli epokën e qendrestarëve, që sakrifikonin për PD, edhe pse kishin mbetur rrugëve, shpesh edhe pa bukë.
    Në kohën kur Patozi dhe Baze ishin tek “Albania”, një “sportet” e tyre të preferuar ishte të shpifnin për Azem Hajdarin tek Berisha dhe Gazidede. Një herë në vitin 1996, kur tek “Albania” u botuan 22 pyetje denigruese që i adresoheshin Azem Hajdarin, kryeredaktori Patozi, ishte ulur në një nga ato kioskat e mëdha pranë selisë së PD dhe po shiste “trimëri” myzeqare (fshati Çermë nga ku e ka origjinën është në Myzeqe), mburrej se e kishte mbërthyer Azem Hajdarin. Kur në këtë kohë shfaqet Azem Hajdari me disa miq dhe drejtohet për të hyrë në lokal dhe Astrit Patozit që e pa, dhe që e kishte marrë vesh se Azem Hajdari ishte indinjuar shumë nga ato shpifje, i shpëtuan fjalët: O bobo po vjen Azem Hajdari! Astrit Patozi u çua dhe hyri në banjën e lokalit nga ku mori në celular Halit Shamatën që atëherë ishte bërë ministër i rendit publik, duke i kërkuar ndihmë se ishte në rrezik. Fjalët “O bobo po vjen Azem Hajdari” u bën proverbiale dhe përmendeshin sipas asaj anekdotës labe për myzeqarin, i cili kur donte të bënte një këngë trimërie për një luftëtar të kohës së Zogut, vargun e dytë e bëri: “O bo bo po vijnë xhandarët!” Azem Hajdari që e quante Astrit Shamata, sipas emrit të Halit Shamatës, i tha Mero Bazes, thuaji atij të lirojë banjën se kanë nevojë klientët, se ai e ka vrarë veten një herë kur ka firmosur atje ku e di ai, dhe tash merret njeri me të.
    Në marsin e 1997-ës, kur shumë gazetarë të mediave pranë PD u larguan nga Shqipëria, u nis dhe Astrit Patozi të ikte në Itali, se i ra në dorë një listë e zezë, ku dhe ai figuronte si i dënuar me vdekje, përkrah emrit të Mero Bazes. Kur Mero që nuk e gjeti tek zyrat e “Albania” e mori në telefon, Astrit Patozi i tha se ishte duke hipur në traget dhe e këshilloi të vinte dhe ai me të. Biseda në vazhdim mes Bazes dhe Patozit është e llojit të anekdotave mes lebërve dhe myzeqarëve. Mero Baze i tha: Po kthehu a i vrarë, se atë listën e kam bërë unë për t’ i trembur njady nga ata pushtat! Kështu Patozi u kthye në Tiranë dhe për këtë trimëri në maj 1997 u bë kryeredaktor i gazetës “Rilindja demokratike”. Patozi ishte në drejtimin e kësaj gazete që nga maji i vitit 1997, deri në shtator 2007, pra për më tepër se dhjetë vjetësh. Siç shihet, Patozi e theu dhe rekordin e Fadil Paçramit, në drejtimin e “Zërit të Popullit” (9 vjet), duke arritur një rekord personal që vështirë se do të arrihet në shtypin shqiptar në të ardhmen. Rekordi i Patozit është paradoksal se, Patozi është kryeredaktori që e ka çuar tirazhin dhe nivelin e RD në kuotat më të ulta, që ka njohur kjo gazetë. Në 16 vite të ekzistencës së saj RD ka pasur dhjetë kryeredaktorë (Frrok Çupi, Napolon Roshi, Mitro Çela, Bashkim Trenova, Filip Çakuli, Lazër Stani, Edi Paloka, Xhevat Mustafa, Astrit Patozi, Blendi Kasmi), nga të cilët, në vitet 1991-1997 kanë qenë tetë të parët, ndërsa në vitet 1997-2007, ka qenë i nënti, Astrit Patozi. Pra, Astrit Patozi u bë “I nënti në bronz” në RD, po të parafrazoj atë titullin e filmit të kohës së komunizmit. Por, nëse Patozi u bë një “monument prej bronzi” në RD, vetë gazeta u bë një mbetje ndryshku e asaj çfarë ka qenë dikur. Patozi ia doli me sukses që ta bëjë gazetën RD të palexueshme. Faji më i madh i Patozit ishte se nën drejtimin e tij gazeta “Rilindja Demokratike” nuk arriti as që të bëjë atë gjë minimale që bënte “Zëri i Popullit”, duke dalë me tituj bombastikë në faqe të parë, që ishin të kalkuluar për të qarkulluar si parrulla që përhapen lehtë, duke qenë se gazetat lexohen në televizione çdo mëngjes. Asnjë nga titujt e RD nuk e godiste lexuesin për ta bërë atë që ta qarkullonte titullin në biseda gjatë ditës.
    Çuditërisht, sa më tepër që Patozi e çonte RD-në në katastrofë, aq më tepër insistonte Berisha për ta mbajtur Patozin në drejtimin e RD, dhe madje për ta shpërblyer atë politikisht. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 Berisha i lejoi Patozit që ta zgjidhte vetë zonën elektorale dhe ai zgjodhi një zonë në Kavajë, të konsideruar e sigurt nga PD-ja. Patozi e zgjodhi këtë zonë elektorale në kufi me zonën e mikut të vet të ngushtë, Mero Bazes në Durrës, dhe ata të dy e bënë fushatën bashkë. Patozi humbi në këtë zonë dhe për këtë ai akuzoi socialistët sikur ia vodhën votat, por e vërteta është se çifti Patozi-Baze  kishte bërë emër të keq në atë zonë, për shkak të aferave të pista të tyre, me vila të ndërtuara në bregdet me paratë e firmave piramidale. Si shpërblim për humbjen e zonës së sigurt, Patozi në Kuvendin e PD të dhjetorit 2001, u bë anëtar i Kryesisë së PD.
    Nëse PS do ta kishte në dorë që të caktonte kryeredaktorin e gazetës të PD, në mënyrë që kjo gazetë të shkonte poshtë e më poshtë, me siguri që do të kishte zgjedhur një njeri si Patozi. Patozi e çoi RD-në në rënie të lirë, jo vetëm nga paaftësia por edhe nga abuzimet. Ai gjatë gjithë kohës që PD ishte në opozitë ankohej se i mungonin lekët për të paguar bashkëpunëtorët, dhe për të afruar njerëz që të shkruanin, se nuk i jepnin reklama, por e vërteta është se RD-së nuk i kanë munguar lekët, pasi shumë biznesmenë i kanë ofruar lekë gazetës së PD gjatë kësaj kohe, por i kanë kërkuar që mos t’ u dalë emri atyre dhe firmës së tyre, që mos të persekutoheshin nga pushteti i majtë. Duke përfituar nga kjo gjë Patozi i fuste në xhep pjesën më të madhe të këtyre lekëve, duke e lënë bosh arkën e gazetës.
    Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, gazeta RD ishte në nivelin më të ulët historik, e megjithatë Patozi u bë anëtar i kryesisë së PD dhe kandidat për deputet në një zonë të sigurt, në Vorë ku edhe fitoi, me 51% të votave të 52% të zgjedhësve që morën pjesë,, kur të gjitha të dhënat në atë zonë ishin për një rezultat shumë më të lartë. Pas ardhjes së PD-së në pushtet Patozi u bë, së bashku me Mero Bazen, një nga njerëzit e masonerisë vendim-marrëse të Berishës, njerëzit e së cilës kanë qëllim të sigurojnë poste për rrethin e tyre dhe të pasurohen nëpërmjet aferave korruptive. Astrit Patozi ka rekordin e trishtuar që ai ka emëruar më shumë njerëz në punë të ndryshme, kryesisht në tatime, dogana, policinë rrugore, diplomaci, por edhe shëndetësi, arsim etj., se sa ishte numri i lexuesve të gazetës RD, të cilën ai e drejtoi deri para një muaji. Motra e tij është Drejtoreshë Juridike në Ministrinë e Brendshme. E megjithatë çuditërisht gazeta ZP nuk e atakoi kurrë Patozin, derisa ai nuk u vu në krye të komisionit “Sollaku 1”. Me sa duket ZP kishte frikë se mos bëhej shkak që Patozi të largohej nga drejtimi i RD dhe kjo gazetë dilte nga “koma” ku kishte rënë me ardhjen e Patozit në drejtimin e saj.
    Berisha i ngarkon Patozit detyra nga më të çuditshmet. Kështu, Patozi u bë kryetar i komisionit të parë parlamentar për hetimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Sollaku. Derisa në krye të këtij komisioni ishte Patozi, njeriu që me duart e veta ia lante bistakët e rrushit “gjeneral” Rrapush Xhaferrit në çezmën e banjës së redaksisë së “Albania”, është absurd dhe pa kuptim që Berisha të priste që komisioni të ishte e besueshme në denoncimin pengesave që i vijnë qeverisë së “duarve të pastra”, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nga ana e Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kur komisionin e parë parlamentar për veprimtarinë e Prokurorit të Përgjithshëm Sollaku e drejtonte Patozi, njeriu që qeshte me përulje dhe sevilizëm kur gjeneral “Xhaferri” i pështynte farat e rrushit në tavolinën e tij të kryeredaktorit, vështirë që ta besojë njeri se këtu bëhet fjalë për “duar të pastra”. Deklarata e Patozit, e deklarimit të pasurisë është në fakt i vetmi shkrim–kryevepër i tij, një shkrim i llojit “ajsberg” ku e dukshmja është pjesa më e vogël e asaj që ekziston realisht dhe që fshihet mjeshtërisht. Në “duart e pastra” të Patozit, sipas kësaj deklarate, është vetëm një grimë e pasurisë së tij, ndërsa pjesa tjetër është e shpërndarë në shumë duar të besuara për të. Astrit Patozi formon një dyshe të pandarë me Mero Bazen, me të cilin është ortak në aferat e pista. Dyshja Astrit Patozi-Mero Baze është një nga “gjendrat” e këqija që “kirurgu” Berisha duhet të kishte pastruar me kohë nga PD, në rast se e kishte seriozisht politikën e vet të “duarve të pastra”.
    Edhe pse në zgjedhjet vendore të këtij viti roli i gazetës RD ishte i mjerueshëm në krahasim me homologen e saj ZP, Astrit Patozi u shpërblye duke zënë vendin e Bamir Topit si nënkryetar i PD, duke u ngjitur kështu ekipin më të lartë drejtues të PD.     Patozi është një nga “të paprekshmit” misteriozë që qendrojnë pranë Berishës dhe që ky i mban në detyrë, madje i katapulton në poste gjithmonë e më të larta, edhe pse ata e kanë bërë hak që të largohen prej kohësh. Çfarë e lidh Berishën me njerëz si Patozi? Ata kanë dhënë prova në operacione të “duarve të pista”, për llogarit të Berishës, gjatë shumë viteve të kaluara.