Nga Kastriot Myftaraj
Drejtori i Lëvizjes “Mjaft”, Erion Veliaj u duk shumë i hutuar para kamerave, ditën e enjte, në momentin e daljes nga dera e selisë së Presidentit të Republikës, ku kishte shkuar për të vënë në dijeni Presidentin Moisiu për protestën e “Mjaft” për dhunimin e lirisë e medias, kur një gazetare e pyeti se përse “Mjaft” nuk ka protestuar për arrestimin e gazetarit Çelo Hoxha. Erion Veliaj mbeti i bllokuar për një moment, pastaj gjeti përgjigjen më absurde që mund të merret me mend, duke thënë: Nuk jam në dijeni për këtë rast.
Nga të gjitha përgjigjet që mund të jepte Erion Veliaj, kjo ishte ajo më kompromentuesja për të. Për çështjen e Çelo Hoxhës një shqiptar që supozohet të jetë i informuar për ato që ndodhin në këtë vend, mund të thotë gjithçka, por jo se nuk është në dijeni. Në rast se Erion Veliaj do të vihej në dijeni për ato që ndodhin në këtë vend, minimalisht nga mediat, atëhere duhej që ai të ishte në dijeni për çështjen e Çelo Hoxhës, pasi kjo çështje ka qenë po aq e mbuluar nga mediat sa kontrolli i tatimorëve në Top Media, çështje të cilën Erion Veliaj dhe “Mjaft”, e kanë bërë “kalin e betejës” së tyre në fushatën për mbrojtjen e lirisë së mediave. Erion Veliaj duket se e gjeti këtë përgjigje, për të evituar pyetjet e tjera që do ta vinin atë në vështirësi, pasi do të zbulohej standardi i dyfishtë që përdor “Mjaft” në mbrojtjen e lirisë së mediave.
Në momentin që Erion Veliaj kishte mbetur ngushtë, i hutuar, para kamerave, ndërhyu Andrea Stefani, leitnanti i Veliajt në krijesën e “Mjaft”, të quajtur “Aksioni Civil”, i cili duke bërë bodyguard-in mediatik të Veliajt, i ktheu përgjigje gazetares, duke i thënë se ishte ai në dijeni për çështjen e Çelo Hoxhës dhe se ai ishte arrestuar për falsifikim dhe ata nuk do të mbrojnë kurrë gazetarë që akuzohen për falsifikim dokumentash, ose për falsifikime të tjera.
Me këtë përgjigje Stefani nuk bëri gjë tjetër veçse e përkeqësoi përgjigjen absurde të Veliajt, pasi po të përdorej kriteri që shprehu Stefani, nuk duhej të kishte as protestë të “Mjaft” dhe të “Aksionit Civil” për çështjen e “Top Media”, se edhe kjo kompani zyrtarisht nuk është në konflikt me shtetin për çështje mediatike, por për çështje fiskale, të cilat pretendohet se janë vetëm preteksti që gjen shteti për të persekutuar këtë kompani për linjën editoriale kundër qeverisë që ndjekin mediat e saj. Edhe Çelo Hoxha pretendon se akuza për falsifikim është vetëm preteksti për ta përndjekur atë dhe se shkaku i vërtetë është angazhimi i tij mediatik për të zbuluar skandalet e Prokurorisë në një të përditshme.
Në këto rrethana, një njeri si Erion Veliaj, që paguhet nga shumë qendra ndërkombëtare për t’ u marrë me këto çështje, duhej që ta kishte shqyrtuar me hollësi çështjen e Çelo Hoxhës, dhe jo vetëm të ishte në dijeni për të nga mediat (Veliaj deklaron se nuk e ka bërë as këtë), ashtu siç Veliaj ka bërë për çështjen e Top Medias, për të cilën, në daljet e veta televizive, na ka dhënë të kuptojmë se e njeh në thellësi.
Shfaqja që na dhanë Erion Veliaj dhe Andrea Stefani tek dera e Presidencës kur u pyetën për çështjen e Çelo Hoxhës, është një ilustrim i librit “1984” të George Orwell, përkthyes i të cilit libër, të botuar në Shqipëri në vitin 2005, në shqip është pikërisht Çelo Hoxha. Në këtë libër Orwell tregon për policinë e mendimit, e cila u dikton njerëzve se çfarë duhet të mendojnë dhe për çfarë duhet të informohen dhe që ndëshkon ata që shkelin rregullat e saj, të vendosura nga Vëllai i Madh, simboli i diktaturës. Erion Veliaj, duke thënë se ai nuk është i informuar për çështjen e Çelo Hoxhës, na zbuloi se në të ashtuquajturën shoqëri civile shqiptare ekzistoka një polici sekrete e mendimit, e cila u dikton njerëzve si Veliaj se çfarë për çfarë duhet të informohen dhe si duhet të mendojnë, sipas udhëzimeve të “Vëllait të Madh”, Edi Ramës. Ndërsa Andrea Stefani u zbulua të jetë operative i Erion Veliajt, i policisë së mendimit. Me përgjigjen që u dhanë mediave për çështjen e Çelo Hoxhës, Erion Veliaj dhe Andrea Stefani do ta kishte bërë të nënqeshte Orwell-in, pasi Veliaj ilustroi atë që Orwell në librin e vet e quan “mendim i dyfishtë” dhe që aplikohej nga njerëzit nën diktatin e policisë së mendimit, pasi ata përdorën një standard të dyfishtë për çështjen e Çelo Hoxhës dhe të Top Medias.
Unë mendoj se Erion Veliaj, ndryshe nga ç’ thotë, është shumë i informuar për çështjen e Çelo Hoxhës dhe e urren atë se Çelo Hoxha është njeriu që ka përkthyer në shqip librin e famshëm të George Orwell, “1984”, të botuar në Shqipëri në vititn 2005, nga Shtëpia botuese “Zenit”. Është sa paradoksale aq edhe domethënëse që libri i Orwell “1984”, kjo “bibël” e letërsisë kundër diktaturave dhe ideologjive totalitare, nuk ishte përkthyer dhe botuar në Shqipëri deri në vitin 2005. Është për t’ u habitur se përse strukturat e Sorosit në Shqipëri, pjesë e të cilave është edhe Lëvizja «Mjaft» («Mjaft» është pjesë e Rrjetit të Shoqërisë së Hapur në Shqipëri, të krijuar nga Soros), struktura të cilat kanë botuar shumë libra, në kolanën e quajtur “Libra për një Shoqëri të Hapur”, të drejtuar nga Piro Misha, që shfaqet pranë Erion Veliajt në mbledhjet e “Aksionit Civil”, nuk e kanë përkthyer dhe botuar librin “1984”, që duhet të jetë një libër-manual për shoqërinë vërtet të hapur. Arsyeja për të cilën Fondacioni “Soros” nuk e ka përkthyer dhe botuar gjatë gjithë këtyre viteve librin “1984”, është sepse edhe njerëzit e Soros, mes të cilëve është dhe Veliaj, e gjejnë shumë embarracues librin “1984”, pasi gjejnë në modelin universal totalitar të përshkruar atje, edhe filozofinë dhe veprimet e tyre.
Në rast se Erion Veliaj do të ishte informuar për çështjen e Çelo Hoxhës, do të shikonte se në mënyrën si ka vepruar Prokuroria ka pika të errta që të bëjnë të dyshosh shumë. Edhe pasi veprimin e supozuar kriminal që është në thelb të akuzës, e ka marrë përsipër funksionari i kësaj partie që kishte lidhje direkte me çështjet elektorale, akuzat ndaj Çelo Hoxhës, që është sekretar i përgjithshëm i partisë së përzier në këtë aferë, nuk u tërhoqën nga Prokuroria. Përgjegjësia penale është individuale dhe në rastin e dhënë, derisa nuk provohet bashkëpunimi, akuzat duhet të ishin tërhequr, kur fajin e supozuar ka marrë përsipër dikush tjetër. Është absurde të mendohet se sekretari i përgjithshëm apo kryetari i çdo partie në Shqipëri mund të jenë përgjegjës për veprime të kryera gjatë mbledhjes së firmave të kandidatëve, kur në parti ka një hierarki postesh dhe funksionesh. Sipas kësaj logjike, për falsifikimin lehtësisht të provueshëm që ka bërë zëvendësprokurori i Tiranës Kostaq Beluri në vitin 2003, duke më atribuar mua një ide të cilën unë e tregoja me referencë se e kisha marrë nga një libër tjetër, si dhe për disa falsifikime të tjera në çështjen time, duhet që të arrestohet Prokurori i Përgjithshëm Sollaku që ishte në atë kohë eprori direct i personit në fjalë.
Në rast se Erion Veliaj do të ishte informuar për çështjen e Çelo Hoxhës, do të shikonte se Prokuroria është e kompromentuar në këtë çështje edhe për një arsye tjetër. Prokuroria ka mbajtur standard të dyfishtë për të njëjtin problem. Në zgjedhjet vendore të vitit 2003, u vërtetua falsifikimi i firmës të një komisioneri të PD-së, Perikli Dhales, në aktet e komisionit zonal të qeverisjes vendore, gjë për të cilën kolegji gjyqësor zgjedhor anuloi votimet në 130 qendra votimi. E megjithatë Prokuroria nuk i arrestoi personat përgjegjës, edhe pse u bë një denoncim. Arsyeja e përdorimit të standardit të dyfishtë nga Prokuroria nuk mund të jetë tjetër veçse fakti që Edi Rama, i cili prekej direkt në të dy rast, duke qenë kandidat për kryetar bashkie, në vitin 2003 kishte interes që falsifikatorët mos të arrestoheshin se kishin vepruar në interes të tij, ndërsa në vitin 2007 të arrestoheshin se kishin vepruar në dëm të tij. Pra del se Prokuroria në këtë çështje, edhe në rast se vërtetohet fajësia e të pandehurve, ka vepruar në mënyrë të njëanshme, në dobi të një pale politike, çka përbën krimin e shpërdorimit të detyrës.
Sa më përket mua, të them të drejtën, gjëja që më ka shqetësuar vërtet në rastin e arrestimit të Çelo Hoxhës dhe të faktit që ai vazhdon të jetë nën akuzë, duke qenë në arrest shtëpie, nuk është se Çelo Hoxha është gazetar, por se Çelo Hoxha është përkthyes në shqip i “1984” të George Orwell. Unë nuk e suportoj dot faktin që përkthyesi shqiptar i “1984” u arrestua dhe është ende në ndjekje penale nga një Prokurori që ka në krye si Prokuror të Përgjithshëm një person që ka qenë prokuror dhe hetues në kohën e diktaturës komuniste orwelliane dhe që sot e ushtron këtë funksion duke mos pasur një mandat të limituar në kohë, por që mund të rrijë si Aranit Çela për dekada të tëra në post, një situatë orwelliane kjo, nuk e suportoj dot faktin që Çelo Hoxha është arrestuar nga Prokuroria e kryesuar nga një Prokuror i Përgjithshëm që ka si tutor një President të Republikës që është bashkëpërgjegjës në shndrrimin e Shqipërisë në një vend-model të atij që përshkruhet në librin “1984”, duke drejtuar bunkerizimin enverian të vendit. Duke shqyrtuar çështjen e Çelo Hoxhës unë nuk mundet mos të mendoj se ai është ndëshkuar që përktheu “1984” të Orwell-t dhe ndëshkimi i tij ka kënaqur dhe sorosianët shqiptarë.
Unë mendoj se është koha që të bëhet një protestë kundër policisë së mendimit të Edi Ramës, duke u bërë promovimi i librit “1984” të George Orwell, jo në sallë, por në natyrë, te dera e selisë së “Mjaft”. Në këtë tubim Çelo Hoxha dhe botuesi të na shpjegojnë se a kanë kërkuar financim për librin nga strukturat e “shoqërisë së hapur ” sorosiane dhe ç’ përgjigje i kanë dhënë. Pastaj ndoshta t’ i çojë dhe një kopje asaj pilivesës sorosiane që supozohet të jetë ambasadore e SHBA në Shqipëri dhe që e ka beniamin të vetin Erion Veliajn.
Pastaj ndoshta i duhet dhënë dhe një kopje ambasadorit të Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, z. Sëeder van Voorst tot Voorst, duke qenë se kjo ambasadë është financuesja fillestare dhe në vazhdim e “Mjaft”. A propos, meqë Andrea Stefani u shpreh se “Aksioni Civil” nuk do të mbrojë kurrë ata që bëjnë falsifikime, unë me këtë rast do të doja t’ i kujtoja Stefanit se është i vetëdijshëm ai që si anëtar i “Aksionit Civil” është përzier në një falsifikim, në lidhje me pagesën e 11 anëtarëve “elitarë” të “Aksioni Civil”, mes të cilëve është dhe Stefani. Para disa javësh presidenti i një kompanie financiare në Shqipëri përgënjeshtroi publikisht që ai të ishte i përzier në pagesën e 11 anëtarëve “elitarë” të “Aksionit Civil”, sipas një kontrate mes kësaj kompanie dhe ambasadës së Holandës në Shqipëri, për sponsorizimin e “shoqërisë civile” shqiptare. Andrea Stefani dhe 10 VIP-at e tjerë të “Aksioni Civil” e dijnë mirë të vërtetën për kontratën me të cilën paguhen ata dhe e kuptojnë se janë përzier në një mashtrim publik.
Unë i apeloj ambasadorit të Mbretërisë së Holandës në Tiranë, z. Sweder van Voorst tot Voorst që të përgjigjet publikisht nëse ekziston ose jo kontrata e përmendur më lart mes ambasadës në të cilën ai është titullar dhe një kompanie shqiptare. Z. Voorst tot Voorst nuk mund të sillet si ai personazhi i pavdekshëm i folklorit të vendit të vet, Til Ulenshpigeli, që kur u mblodhën njerëzit të shikonin pikturën që ai kishte marrë përsipër të bënte në një mur, u tregoi murin e bardhë duke u thënë se pikturën mund ta shikonte vetëm ai që ishte fisnik, kështu që të gjithë nga frika se nuk do të dukeshin fisnikë filluan të bëjnë garë se kush të çmonte më tepër pikturën inekzistence. Kështu edhe z. Sëeder van Voorst tot Voorst kërkon të na bindë se kush nuk shikon tek angazhimi i ambasadës holandeze në ndihmë të “Mjaft” kuintesencën e vlerave civile dhe demokratike, ai nuk është një njeri që ka sensin e këtyre vlerave. Në këtë rast unë marr përsipër të bëj rolin e asaj shërbëtores që tha të vërtetën për “tablonë“ e Ulenshpigelit, pra se shikonte vetëm murin e bardhë dhe asgjë nga ato që dëgjonte.
Kështu do të dalë se edhe për mashtrimin njerëzit e “Aksioni Civil” përdorin mendimin e dyfishtë orwellian. Ata nuk preokupohen për mashtrimin publik kur ai bëhet në dobi të tyre. E bukur shoqëri civile!
2007





