Nga Kastriot Myftaraj
Ditën e hënë, në 12 nëntor 2007, emisioni «Zonë e Lirë» i Andi Bushatit në Tv Klan iu dedikua Behgjet Pacollit dhe nismës së tij politike në Kosovë. Ajo që të bënte përshtypje në emisionin e Bushatit ishte se, drejtuesi i emisionit nuk ishte kufizuar që të jepte opinionin e Pacollit dhe atë të kundërshtarëve të tij. Në intervalet mes përsjelljes së deklaratave të Pacollit dhe atyre të kundërshtarëve të tij, bëheshin komente në favor të Pacollit dhe kundër rivalëve të tij, nga një zë që përsillte pamjet e veprimtarisë së Pacollit, dhe që ishte zëri i një njeriu i cili i përkiste stafit të emisionit. Kështu, në fillim të emisionit u bë komenti nga zëri i njeriut të stafit të emisionit se deri më sot partitë ekzistuese në Kosovë i kanë ushqyer shqiptarët e Kosovës me lugën bosh të premtimeve për pavarësinë, ndërsa Behgjet Pacolli me partinë e tij të re u ofron projekte për punësim, mirëqenie, zhvillim. Ndërsa në përfundim të emisionit, po ky zë i stafit të emisionit, tha se shqiptarët e Kosovës tashmë e kanë kuptuar se ka ikur koha e politikës folklorike të premtimeve për pavarësinë dhe se ka ardhur koha e politikës që krijon projekte të prekshme për të ardhmen që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së tyre, me punësimin, mirëqenien etj. Me këtë mënyrë të shprehuri Andi Bushati dhe Tv Klan u bënë pjesë e makinës propagandistike të Pacollit të ngritur me rastin e zgjedhjeve të kësaj jave në Kosovë.
Alternativa e Pacollit është në pajtim me qëllimin e Rusisë dhe të Serbisë për shtyrjen e çështjes së statusit të Kosovës për një afat të pacaktuar. Ky qendrim i Rusisë dhe Serbisë ka gjetur mbështetje dhe në kancelaritë e disa vendeve europian dhe në nivelet e larta të burokracisë komunitare në Bruksel, me planin për që çështja e statusit të Kosovës të shtyhet, duke u dhënë në shkëmbim shqiptarëve të Kosovës një plan ekonomik disavjeçar për zhvillimin e Kosovës, që shkon deri në një shumë prej 20 bilion (disa thonë dollarë e disa thonë euro). Problemi me këtë propozim është se veprimtaria e ndërkombëtarëve gjatë këtyre tetë viteve të administrimit të Kosovës prej tyre, u jep të drejtë shqiptarëve të Kosovës që të jenë shumë skeptikë ndaj suksesit të një nisme të tillë, edhe sikur të investohet një shumë e tillë. Gjatë këtyre tetë viteve që Kosova është nën administrimin ndërkombëtar, atje janë investuar jo pak para nga ndërkombëtarët, por megjithatë banorët e Kosovës, shumw pak të mira kanë parë prej tyre në realitetin kosovar. Një pjesë e mirë e këtyre parave janë shpenzuar për mbajtjen e burokracisë ndërkombëtare me rroga dhe benefice të tjera të larta, ose janë tretur nga burokratët ndërkombëtarë që vijnë e ikin njëri pas tjetrit dhe që kanë abuzuar shumë me këto para. Këto i kanë deklaruar vetë ndërkombëtarët, dhe ajo që ata kanë thënë dhe denoncuar është vetëm pjesa e dukshme e ajsbergut. Nëse do të fillojë të zbatohet projekti i zhvillimit të Kosovës, qoftë edhe me 20 miliardë dollarë apo euro, duke iu lënë zbatimi i këtij projekti burokracisë ndërkombëtare, qoftë ajo e Brukselit, atëherë me siguri që këto para do të treten dhe shqiptarët e Kosovës përsëri nuk do të shikojnë ndonjë rezultat kushedi se çfarë prej tyre kur projekti të ketë mbaruar. Burokracia e Bashkimit Europian në disa aspekte është dhe më e keqe se ajo e OKB, e cila ka fituar një emër të keq që në kohën e fillimit të shkolonizimit të Afrikës, në vitet pesëdhjetë. Burokracinë europiane e njohim mirë ne shqiptarët e këtej kufirit dhe epitomë e abuzimit cinik të saj është afera korruptive e para pak kohësh e marrjes me qera të selisë së ambasadës së Bashkimit Europian në Tiranë, për të cilën u arrestuan disa burokratë në Bruksel, dhe me ç’ rast ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri u tha mediave se ai nuk mund të jepte të dhëna për kontratën e qerasë, as për shumën e qerasë dhe as se kush qe qeradhënësi. Por, ky diplomat ka detyrim ta bëjë këtë gjë se paratë e harxhuara për këtë gjë i llogariten Shqipërisë si asistencë teknike dhe shënohen në fondin e ndihmës së Brukselit për Shqipërinë.
Deri më tash, të vetmit precedentë kur ka funksionuar një projekt ndërkombëtasr ndihme ekonomike për një vend, janë ato kur partner vendor ka qenë një qeveri e përgjegjshme dhe me kompetenca të plota, siç ka ndodhur me Planin «Marshall», apo me financimet në shuma tepër të mëdha Bashkimit Europian për Greqinë, para dhe pasi kjo të bëhej anëtare e BE, dhe që vazhdojnë edhe sot. Në vende pa traditë të demokracisë dhe shtetit ligjor, që të minimizohen abuzimet e vendorëve, partnerët ndërkombëtarë kanë parapëlqyer një pushtet vendor autoritarist, me shtetarë vendorë sa më tepër puritanë që të jetë e mundur, siç kanë bërë SHBA në Kilin e Pinoçetit, Korenë e Jugut, Izrael apo në Turqi. Prandaj shqiptarët e Kosovës nuk kanë pse ta marrin me entusiazëm alternativën që u ofrohet, pasi me të duan t’ i venë në pozitën e magjarit që i venë para syve karrotën në majën e shkopit, karrotë të cilën ai nuk e arrin kurrë ta shijojë. Që shqiptarët e Kosovës ta pranojnë këtë projekt do të thotë që të pranojnë mitë për të shitur ardhmërinë e Kosovës në dëm të brezave të ardhshëm. Në rast se shqiptarët e Kosovës heqin dorë tash nga definimi i statusit të tyre, ata do të hyjnë në një rrugë pa krye, që do të ketë përfundim tragjik. Zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe mirëqenia do të vijë vetëm pasi të jetë definuar statusi i saj, për të cilin aspirohet pavarësia, por që unë besoj se edhe shpallja e saj nuk është gjë tjetër veç hap kah bashkimi i Kosovës me Shqipërinë e 1913-s, si pjesë e proceseve gjeopolitike në rajon. Pavarësia, pavarësisht se cka thuhet, edhe për shkak të determinizmit gjeopolitik, nuk është qëllimi, por mjeti. Por ky proces sa i përket Kosovës do tw frenohet nwse abandonohet aspirata për pavarësi, për hir të iluzioneve.
Misioni i Behgjet Pacollit në Kosovë është që të bëjë diversion duke e çarë bllokun monolit të opinionit publik dhe politikës shqiptare të Kosovës, se definimi i statusit me pavarësinë si solucion i vetëm, është parakushti për çdo projekt për ardhmërinë e Kosovës. Pacolli me angazhimin e vet politik synon që ta polarizojë opinionin publik dhe politikën shqiptare të Kosovës, duke krijuar një pol të ri, që mbështet alternativën e margjinalizimit të çështjes së statusit, gjegjësisht të pavarësisë, duke i dhënë prioritet alternativës iluzore të zhvillimit ekonomik. Behgjet Pacolli, që paraqitet si njeriu që do të bëjë mrekullinë ekonomike në Kosovë, është në fakt një mitëdhënës rus dhe serb në Kosovë, që kërkon t’ u paguajë mitë brezave të tashëm të Kosovës, që, për shkak të varfërisë dhe dëshpërimit të tyre, ta shesin Kosovën për përfitimin e tyre të supozuar afatshkurtër, në dëm të brezave të ardhshëm. Pra, Pacolli kërkon të bëjë një korruptim kolektiv të shqiptarëve të Kosovës. Pacolli rren kur thotë se ai nuk ka hyrë në politikë për t’ u korruptuar, se ai është i pasur me 300 milion euro dhe se nuk ka nevojë për të fituar pare me anë të politikës. Por në rast se do të zbatohet projekti i zhvillimit ekonomik të Kosovës prej 20 miliardë eurosh apo dollarësh, në linjë me të cilin është praktikisht alternativa e Pacollit, atëherë, Pacolli, duke pasur dhe pushtet politik, sigurisht që do t’ i ketë duart në këtë «qyp mjalti» që do t’ i jepet Kosovës dhe së pakut do t’ i «lëpijë» me disa qindra milion euro, me anë të kompanive të kontrolluara prej tij që do të marrin porosi për ndërtime publike. Pacolli, me veprimtarinë e vet në Rusi, dhe në republikat e tjera ish-sovjetike, ka treguar se është i aftë, ose më saktë ka këshilltarë të aftë, për të ndërtuar skema të biznisit, sipas të cilave një politikan biznismen i ka duart njëkohësisht jashtë dhe brenda. Dhe Pacolli vërtet nuk i fut duart për shumat maksimale që i futin politikanët e tashëm, ai as nuk i fut duart as për qindra mijë euro, as për disa milion euro, por ai i fut duart për qindra milion euro. Kështu që nga Behgjet Pacolli, edhe sikur të bëhet kryetar i Kosovës shqiptarët e Kosovës nuk do të shohin ndonjë gjë të mirë nga ato që u premton kënga e fushatës së tij, tekstin e së cilës këngë, në mënyrë sa ironike aq edhe kuptimplote e ka bërë satiriku i njohur nga Tirana, ish-vartës i Pacollit tek Mabetex në Zvicër.
Misioni i Pacollit në Kosovë është të zbatojë skenarin ruso-serb për çeçenizimin e shqiptarëve të Kosovës, sipas modelit që përdorën rusët në Çeçeni. Me çeçenizim të konfliktit ruso-çeçen Moska kuptonte atë që konflikti të projektohej tek kundërshtari pra tek çeçenët, si konflikt ndërmjet vetë çeçenëve, ku njëra palë ishte pro pavarësisë, ndërsa pala tjetër ishte kundër dhe kjo palë e fundit mbështetej nga Rusia. Kështu do të neutralizohej problemi çeçen për Rusinë, me anë të vetë çeçenëve, çka deri në një masë ndodhi dhe e ndihmoi Rusinë që ta zgjidhte çështjen çeçene sipas konveniencës së vet. Duke krijuar Pacolli një pol shqiptar në Kosovë kundër pavarësisë, krijon premisat që shërbimet sekrete ruse dhe serbe të kalojnë në fazën tjetër të çeçenizimit, duke zbatuar skema që do ta shkallëzojnë konfliktin mes dy palëve shqiptare deri në dhunë masive, duke u arritur deri tek lufta civile ndërshqiptare në Kosovë. Kur Pacolli thotë se kërkon të bëhet President i Kosovës, shqiptarët e Kosovës duhet ta dijnë se Pacollli kërkon të bëhet «Ramzan Kadyrov» serbo-rus i Kosovës. Ramzan Kadyrov është Presidenti prorus i Çeçenisë, puppet on a string ruse në Çeçeni. Baton Haxhiu, i cili ishte i ftuar në emisionin e 12 nëntorit 2007 në Tv Klan për Pacollin, dhe këtë herë bëri komente që ishin në favor të Pacollit, ka folur ndryshe për Pacollin në një intervistë të vet të gjatë po në Tv Klan, në vitin 2000, ku ka thënë për Pacollin se ai është i kyçur në biznisin rus të të pushtetshmëve të Kremlinit dhe dha të kuptojë se Pacolli vepron për llogari të shërbimeve sekrete ruse dhe serbe. Sot Haxhiu flet ndryshe dhe motivet nuk janë evoulim pikëpamjesh.
Nuk është ironi e vogël, që detyrën për të himnizuar Pacollin në mediat e Tiranës e kishte marrë përsipër Andi Bushati, nipi i Hysni Kapos. Hysni Kapo ka qenë një spiun i vjetër serb, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë bashkëpunëtori i ngushtë i të dërguarit serb, Dushan Mugoshës, që ishte atashuar pranë forcave partizane në Vlorë. Hysni Kapo pati një rol të dyshimtë kur shkoi në Kosovë në krye të forcave partizane nga Shqipëria e këtej kufirit të 1913, duke ndihmuar serbët për të shtypur shqiptarët e Kosovës. Jo më kot Hysni Kapo fill pas luftës do të parapëlqehej nga jugosllavët për t’ u bërë ambasadori (ministër fuqiplotë) i parë shqiptar në Beograd. Andi Bushati, në emisionin e vet «Zonë e ndaluar» ku herën e fundit hymnizoi Pacollin, në qershor të këtij viti, fill pas vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri, bëri një gjë shumë antishqiptare. Bushati bëri një emision ku me anë të paraqitjes së pamjeve nga arkivat krahasonte entusiazmin me të cilin e pritën shqiptarët Presidentin amerikan, me atë që shqiptarët kanë treguar në të shkuarën ndaj të huajve të fuqishëm, kur kanë pritur me shumë entusiazëm edhe Imperatorin e Italisë fashiste Victor Emanuelin, kur vizitoi Shqipërinë në vitin 1941, liderin rus, Hrushovin, kur vizitoi Shqipërinë në vitin 1959, si dhe kryeministrin kinez Çu En Lain kur vizitoi Shqipërinë në vitin 1965. Bushati bënte komentet se këto pritje duhet të kenë qenë shenjë e servilizmit, se më pas ne shqiptarët kur jemi prishur me ta i kemi sharë. Pra, Bushati bënte aluzion se, sipas traditës shqiptare, edhe me SHBA do të prishemi dhe më pas do t’ i shajmë Presidentët amerikanë. Sigurisht që kur të realizohen skemat gjeopolitike ruso-serbo-greke, që SHBA të dëbohen nga Kosova dhe nga Republika e Shqipërisë, siç presin të ndodhë dhe Bushati e Pacolli.
Me këto që tha Bushati vërtetoi jo këtë traditë shqiptare që nuk ekziston por vetëm atë proverbën se nga vezët e gjarprit nuk del zogu i pëllumbit. Bushati tregoi se nga vezët e gjarprit të genit të elitës komuniste-sigurimse del vetëm gjarpëri që kafshon me dhëmbin e vet helmues marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, sipas traditës të librit të Enver Hoxhës «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë», me të cilin libër në dorë Andi dikur i zinte pritë në trotuaret e bllokut Enver Hoxhës për t’ i i marrë një autograf, të cilin duhet ta ketë edhe sot. Mënyra se si i kanë pritur shqiptarët liderët e tjerë që përmendi Bushati nuk tregon servilizmin, por ka një kuptim të thellë. Victor Emanueli u përshëndet për rolin që pati për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb, që ishte më i keq se çdo okupim tjetër. Kjo nuk duhet parë si sjellje profashiste, por si sjellje realpolitike, se para shqiptarëve, liderin e Italisë fashiste e kanë përshëndetur edhe shtetarët e demokracive të mëdha europiane, po për motive realpolitike. Pritja që iu bë Hrushovit nga populli i Tiranës ishte në fakt një manifestim antistalinizmi dhe nuk i pëlqeu fare Enver Hoxhës, që nuk e kishte patur kurrë një entusiazëm të tillë popullor. Edhe pritja që iu bë Çu En Lait mund të merret si manifestim i tërthortë i ndjenjave proamerikane të popullit shqiptar, se shqiptarët kishin dëgjuar në radiot e huaja komente se Çu En Lai përfaqësonte në Pekin një linjë që ishte për afrim me SHBA, çka ishte e vërtetë. Enver Hoxhë nuk i pëlqeu as entusiazmi me të cilin e priti populli i Tiranës Çu En Lain dhe kjo kuptohet nga komentet që ka bërë në ditarin e vet. Enver Hoxha u ftoh me Kinën pikërisht në kohën që ajo bëri hapjen ndaj SHBA, në vitin 1971, rrugë në të cilën Enver Hoxha nuk e ndoqi. Ndërsa për t’ i sharë Hrushovin dhe Cu En Lain i ka sharë propaganda e regjimit dhe jo populli shqiptar, që i respektoi ata për aq sa politika e tyre ishte në interes të Shqipërisë. Kombinacioni Bushati-Pacolli tregon qartë se kemi të bëjmë me një skemë antishqiptare, antiamerikane dhe pro serbe dhe ruse. Kosova e re e Pacollit është Kosova e rikthyer në Serbinë.





