Nga Kastriot Myftaraj
Andi Bushati shpërfill gazetën “Sot”, duke thënë se fotot nudo për Edi Ramën u botuan në një gazetë të dorës së tretë. Nuk dihet mirë sesi duhet kuptuar kjo renditja sipas duarve që bën Andi Bushati, i cili në vitet ’70, kur ishte fëmijë dhe shoqëronte të atin që ishte shef i Degës së brendshme në Lushnjë (shef i Sigurimit të Shtetit), në inspektimin e kampeve të përqëndrimit, u kërkonte fëmijëve të të internuarve të deklasuar, që të zgjatnin duart para dhe i qëllonte me një thupër, ndërsa oficerët e Sigurimit të Shtetit qeshnin dhe e uronin shokun Mehdi për ndjenjën e laftë të luftës klasore që kishte djali i tij që në moshë të vogël. Nuk dihet nëse miku i sotëm dhe bashkëmoshatari i tij, Blendi Fevziu, i cili atëhere ishte i internuar me familjen në fshatrat e Lushnjës, ka pasur fatin të hajë ndonjë thupër nga çekisti i vogël Andi.
Sipas psikologjisë karakteri i një njeriu formohet që në fëmijëri. Karakteri i Andi Bushatit është formuar në mes të elitës kriminale të Sigurimit të Shtetit dhe në bllokun e udhëheqjes komuniste në Tiranë, ku ai kalonte shumë kohë në vilën e gjyshit të vet Hysni Kapos, si nipi i tij më i dashur. Kur babai e merrte Andin e vogël për gjueti në lagunën e Lushnjës, ku shkonte së bashku me ministrin e brendshëm Kadri Hazbiu, ky i fundit e kishte bërë zakon që ta pyeste Andin se a donte të vriste një rosë, ndërsa Andi, me sa duket i mësuar nga babai, i përgjigjej se dua të vras një armik të klasës. Kjo e bënte Kadri Hazbiun të qeshte me të madhe dhe t’ u thoshte vartësve të vet se duhet t’ i edukonin fëmijët e tyre me sensin e lartë të urrejtjes për armikun e klasës, sic kishte bërë shoku Mehdi, pa harruar të shtonte dhe meritën e gjyshit, shokut Hysni (eprori direkt i Kadri Hazbiut në linjë partie), në edukimin e këtij fëmije.
Sa për formimin intelektual të Andi Bushatit, mjafton të thuash se libri i parë të cilin i ati i dhuroi me dedikim, kur Andi mësoi shkrim dhe lexim ishte volumi i parë i serisë “Heronj të heshtur”, që u botua në atë kohë dhe që kishte biografitë e njerëzve të Sigurimit të Shtetit të rënë në luftën e klasave. I ati i Andit mburrej në korridoret e Ministrisë së Brendshme se djali i tij kishte filluar të lexonte librin “Heronj të Heshtur”. Kur Andi ishte në klasë të tretë fillore dhe porsa ishte botuar libri i Enver Hoxhës, “Imperializmi dhe Revolucioni”, gjyshe Vitoja (gruaja e Hysni Kapos) mburrej në shtëpitë e bllokut të udhëheqjes se nipi i saj kishte filluar të lexonte librin e shokut Enver, duke qenë njeriu me moshë më të vogël në Shqipëri që po e bënte këtë gjë. Për këtë gjë Andi një herë kaloi dhe një provim para shokut Enver, i cili me kërkesë të gjysh Hysniut i bëri një pyetje nga libri. Andi filloi të kishte në bllok famën e një fëmije të talentuar, me të ardhme të madhe, gjë e cila ishte më tepër dëshirë e të afërmve të tij të pushtetshëm sesa cilësi e Andit. Një gjë është e sigurt, Andi hoqi dorë nga leximi i librave, që kur pushuan së e detyruari të lexojë librat e shokut Enver, për të qenë në gjendje që të bisedonte për to me bashkëmoshatarët e bllokut të udhëheqjes.
Andi është gjysmë shkodran nga i ati, por e vetmja gjë e mirë që ka parë Shkodra nga Andi Bushati është tërmeti i vitit 1979. Andi Bushati, i cili ka lindur në 15 prill, në 1979 kur mbushi 10 vjeç shkoi në me të atin ta festonte ditëlindjen në Shkodër, por me këtë rast nuk i solli Shkodrës gëzim, por tërmetin e madh të vitit 1979. Në 1985, kur Andi mbushte 16 vjeç, ditëlindja e tij koincidoi me ditën e varrimit të Enver Hoxhës. Në 15 prill 1985, në ditën e varrimit të Enver Hoxhës, gjyshe Vitoja, e cila ishte pranë Nexhmijes në kohën që arkivoli po futej në varr, herë pas here përsëriste se nipi i saj, Andi, ishte betuar se sa të ishte gjallë nuk do ta festonte me datëlindjen, se ajo i binte ditën e zezë që shoku Enver u fut në dhe. Kjo përrallë u përsërit nga Andi, gjyshe Vitoja, babi Mehdiu, për 6 vite rresht deri në 1991. Më tutje nuk e kanë thënë këtë gjë, dhe nuk dihet nëse Andi ka filluar që ta festojë datëlindjen.
Shkollimi i Andit është një sagë më vete. Ai filloi shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Tiranë, në degën e frëngjishtes. Gjyshe Vitoja i thoshte shoqes Nexhmije dhe shokut Ramiz, se nipi i saj Andi e kishte peng që nuk ishte shoku Enver, që Andi të fliste pak frëngjisht me të. Por bëmat e Andit në shkollë ishin të tilla që babi Mehdiu e pa të arsyeshme që ta çonte ta bënte vitin e fundit të shkollës së mesme në gjimnazin e Shkodrës. Më pas Andi studioi për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, ku në shkurt të vitit 1991 ishte ndër studentët që firmosën peticion proteste kundër kërkesës për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti.
Andi pasi mbaroi shkollën e lartë punoi për disa kohë si shofer në firmën tregtare që kishte hapur daja i tij, djali i Hysni Kapos në Tiranë dhe që kishte lidhje financiare me Emiratet e Bashkuara Arabe, pra me botën islamike, kundër lidhjeve të Shqipërisë me të cilën Andi do të shkruante shumë më pas. Karrierën si gazetar Andi e filloi tek “Koha Jonë”, ku për disa kohë u bë kryeredaktor, por e hoqën se ishte i paaftë. Në 1997 kur do të rikthehej PS-ja në pushtet, Andi e kuptoi se Fatos Nano nuk do t’ i jepte post meqë ishte nipi i Hysni Kapos, prandaj e bindi ortakun e dajës së vet që të hapte revistën “Klan”, ku Andi donte të bëhej kryeredaktor. Por duke ditur paaftësinë e tij, e bënë vetëm redactor, ndërsa kryeredaktor bënë Armand Shkullakun. Andi filloi të bëjë intriga të mëdha kundër Shkullakut derisa e largoi nga posti i kryeredaktorit, duke e marrë vetë atë.
Si kryeredaktor Andi ka bërë gafa më të çuditshmet, nga të cilat ajo më qesharakja është kur i dhanë një libër të botuar nga revista e njohur gjeopolitike italiane “Limes”, me titull “Çështja ilirike” dhe që fliste për ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri. Andi duhej të shikonte nëse ia vlente që fragmente të këtij libri të botoheshin në revistën “Klan”. Andi e mbajti librin disa ditë, duke i kushtuar vetëm disas sekonda për ta shfletuar në një lexim zigzag të disa faqeve(Andi nuk ka durim të lexojë libra), pa se shahej PD-ja dhe Berisha dhe dha viston që të botoheshin fragmente të tij, duke u quajtur studim serioz. Kjo ishte ironi e madhe se Andi nuk e dinte që në këtë libër babai i tij Mehdi Bushati përmendej me emër si njeriu që zhvillonte kontrabandën e cigareve në kohën e regjimit komunist.
Si gazetar Andi është-po të përdor shprehjen e tij-i dorës së tretë. Andi ka dështuar edhe si analist në shtyp edhe si gazetar televiziv. Si analist shtypi, ai tjerr thashetheme kafenesh, në artikuj shumë të shkurtër, jo vetëm për nga gjatësia, por edhe për nga niveli intelektual dhe analitik, të cilëve u kushton vetëm pak minuta kohë. Duke qenë një analist i dështuar në shtyp, si dhe një drejtues i dështuar i medias së shkruar, Andi i hyri gazetarisë televizive, duke bërë në fillim emisionin “Apostrof” në Tv Klan, të cilin ai e drejtonte vetë. Me ta hapur këtë emision filloi t’ i pyeste të njohurit e vet se si u dukej emisioni i tij në krahasim me emisionin e Blendi Fevziut “Opinion”. Synimi i Andit ishte që emisioni i tij “Apostrof” të bëhej emisioni më i rëndësishëm politik televiziv në Shqipëri. Por, Andi u detyrua që të vinte pikën pas “Apostrofit”, duke e mbyllur këtë emision që rezultoi të ishte një emision i dorës së tretë, i drejtuar nga një gazetar televiziv i dorës së tretë. Tashmë Andi i është rikthyer aventurës së tij televizive duke filluar në Tv Klan emisionin e vet “Zonë e ndaluar”, për të cilin ai ka po ato ambicje si për emisionin “Apostrof”. Blendi Fevziu shpejtoi ta kundërbalancojë sfidën e Bushatit, duke filluar ditën e hënë, kur emetohet emisioni i Bushatit, një aneks të emisionit të vet “Opinion”, që vjen fill pas emisionit të Bushatit. Edhe emisioni “Zonë e ndaluar” i Bushatit është një emision i dorës së tretë në median televizive shqiptare.
Para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005 Andi, i pakënaqur ngase socialistët nuk i dhanë asnjë post (ai donte të bëhej drejtor i Radio-Televizionit Publik, ose së paku i televizionit publik), u kthye nga një antiberishian profesionist në një proberishian profesionist. Pas zgjedhjeve, kur gazeta “Tema” u ble praktikisht nga pronarët e kazinosë greke në qendër të Tiranës, për të siguruar mbështetjen e qeverisë së PD, për këtë biznes, me anë të njeriut të afërt të Berishës “Çorapes” së “Tema”, ky i fundit e tërhoqi në gazetë si editorialist Andi Bushatin, së bashku me Blendi Fevziun, dhe Armand Shkullakun. “Çorapja” në një editorial në gazetën e vet titull “Pse u bashkuam tek Tema”, në nëntor 2005, tentoi ta paraqiste këtë si një angazhim mediatik në kërkim të së vërtetës. Në fakt me këtë bashkim u shtua skuadra e mercenarëve mediatikë berishianë, duke u vënë dhe këta të tre në rresht pas Astrit Patozit, nën komandën e kapter “Çorapes”, me Andi Bushatin si ushtarin më të zellshëm. Edhe sot Andi Bushati vazhdon të jetë tek “Tema” si editorialist i mbipaguar me kontratë speciale nga pronarët e kazinos.
Një Zot e di se çfarë priste Berisha nga Andi Bushati kur e mori atë në ekipin e vet mediatik. Çfarë grupesh të shoqërisë kërkonte të tërhiqte Berisha me anë të Bushatit. Andi Bushati, si origjinë sociale u përket niveleve më të larta të nomenklaturës komuniste. Nuk ka asnjë gjasë që ai do të tërheqë njerëz në favor të PD-së nga grupi shoqëror të cilit i përket. Ai nuk mund të tërheqë për PD-në as të majtë të thjeshtë, pasi ata e kuptojnë mirë se Andi Bushati u bë me Berishën sipas asaj shprehjes “Për inat të sime vjehrre do të fle me mullixhinë”. Por tash Andi Bushati është prishur edhe me Berishën për shkak se priste që ai ta bënte drejtor të përgjithshëm të Radio-Televizionit Publik, ose së paku të televizionit publik.
Andi Bushati mburret se është me origjinë aristokratike, duke qenë pasardhës i drejtpërdrejtë i familjes së sundimtarëve të Shkodrës, vezirëve dhe pashëve bushatlij. Këtë përrallë e ka sajuar babai i Andit Mehdi Bushati, i cili në një emision Top Shoë, në Top Channel, para disa vjetësh, ku diskutohej për familjet e mëdha historike shqiptare, u paraqit si pasardhës i familjes aristokratike të Bushatllijve dhe pretendoi se ai ka pemën gjenealogjike të kësaj familjeje, nga ku del se ai është pasardhës i drejtpërdrejtë i vezirëve dhe pashëve bushatllij. Sikur ta marrim të mirëqenë këtë gjë, atëhere Andi Bushati na del një hibrid kurioz i aristokracisë osmane dhe i aristokracisë komuniste, çka duket edhe në mentalitetin e tij. Nuk është ironi e vogël që kur babai i Andit mburret me trashëgiminë e vet aristokratike osmane, Andi vetë ka bërë shkrime të ashpra kundër orientimit të supozuar të Shqipërisë nga bota islamike në kohën kur Berisha ishte President.
Është ironikisht paradoksale ta shikosh këtë Andi Bushatin, që nga njëra anë e mban veten për shumë oksidental, ndërsa nga ana tjetër jeton në kohën hixhri islamike osmane, duke nderuar fermanet e sulltanëve, për paraardhësit e vet të supozuar. Por nga kjo sëmundje vuan dhe miku i vet Blendi Fevziu që mburret se e ka origjinën tek familjet aristokrate osmane. Andi Bushati këtë replikë e ka si “të shtënë” paralajmëruese në ajër për ato që ka thënë në adresë të gazetës “Sot”. Nëse vazhdon të thotë të tjera, do të marrë përgjigje meritore shumë më të thelluar, duke mos harruar dhe bëmat e tij në Kosovë.
2007





