Andi Bejtja, nga intervista me Bush, në lobist progrek për regjistrimin fetar të popullsisë




nga Kastriot Myftaraj

    Gjëja që shkaktoi më shumë debat në Shqipëri nga intervista që Presidenti Bush i dha, para vizitës së tij në Shqipëri, gazetarit të “Vizion Plus”, Andi Bejtja, ishte deklarata e Bush për Shqipërinë si një vend ku “njerëz muslimanë jetojnë në paqe”, që u përkthye qëllimisht keq në shqip si “popull musliman që jeton në paqe. Në anglisht fjala “popull” (people) dhe fjala “njerëz” (peoples) janë shumë të afërta. Gazetari Andi Bejtja, i cili është përgjegjës për këtë “keqkuptim” që nga dita e intervistës, vazhdon të thotë se kjo(perceptrimi i shqiptarëve si një popull musliman) ndodh se në vendin tonë ende nuk është kryer një regjistrim fetar i popullsisë dhe të kërkojë kryerjen e këtij regjistrimi. Andi Bejtja doli ditën e hënë në 11 qershor, të nesërmen e vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri, në emisionin “Zonë e ndaluar” në Tv Klan, kur u diskutua për vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri, dhe në këtë emision Bejtja i pyetur nga drejtuesi i emisionit Bushati për deklaratën e mësipërme të Presidentit amerikan, shprehu përsëri mendimin se në Shqipëri duhet të bëhet regjistrimi fetar i popullsisë. Bejtja u shpreh se nga ky regjistrim mund të dalë se shumica e shqiptarëve, edhe pse me origjinë muslimane, janë jobesimtarë, siç e quajti ai veten dhe drejtuesin e emisionit Bushati, dhe se kështu shqiptarëve do t’ u hiqet reputacioni sikur janë popull musliman.
    Andi Bejtja është një gazetar i vjetër dhe që sigurisht e njeh në imtësi debatin për regjistrimin fetar, por dhe etnik (këto të dyja janë të lidhura dhe nëse do të bëhet regjistrimi fetar do të bëhet patjetër edhe ai etnik) të popullsisë dhe nuk mund të thotë se nuk i njeh implikimet që sjell kryerja e një regjistrimi, qoftë edhe vetëm fetar të popullsisë.  Kërkesa për regjistrimin fetar dhe etnik të popullsisë në Shqipëri, është një kërkesë që po bëhet me të madhe nga Greqia dhe në Shqipëri nga PBDNJ dhe deputetët socialistë minoritarë grekë. Kërkesa që Greqia i ka bërë Shqipërisë që të bëjë regjistrimin e popullsisë mbi bazë feje dhe etnie, është një kërkesë nga zbatimi i së cilës Greqia kalkulon që të sigurojë një realitet të rremë për të mbështetur pretendimet e saj për Vorio-Epirin dhe argumente për të përfituar në procesin e mundshëm të ndryshimit të kufijve në Ballkan. Greqia pret që nga ky regjistrim një pjesë e madhe e shtetasve të Republikës së Shqipërisë, për konvenienca, në rradhë të parë ekonomike, ta deklarojnë veten si të fesë ortodokse dhe të nacionalitetit grek. Në bazë  të kësaj Greqia do të kërkojë që, së paku Shqipëria të shndrrohet në një shtet federal dhe së shumti që një pjesë e saj të bashkohet me Greqinë. 
    Në pikëpamjen greke, në Shqipëri feja ortodokse dhe kombësia greke janë sinonime. Dhe për këtë qëllim Greqia ka sjellë në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare klerikun grek Anastasios Janullatos, që ta shprehë në mënyrë simbolike këtë simbiozë fe-kombësi në Shqipëri. Edhe nëse bëhet fillimisht vetëm regjistrimi fetar i popullsisë, Greqia do t’ i nxitë emigrantët shqiptarë në Greqi që familjet e tyre në Shqipëri ta deklarojnë veten ortodoksë, në mënyrë që të sigurojë rritjen e numrit të popullsisë ortodokse në vend që në një të ardhme ta deklarojnë veten të kombësisë greke. Para vizitës së Bush, kreu grek i Kishës Ortodokse-në letër Autoqefale Shqiptare, Anastasios Janullatos, në një intervistë për radion gjermane në shqip Deutsche Welle iu referua një thënieje të Enver Hoxhës në bisedë me Stalinin se kristianët ortodoksë në Shqipëri përbëjnë 30-35% të popullsisë. Janullatos e di mirë se kjo gjë nuk ka qenë e vërtetë në kohën kur e tha Enver Hoxha, dhe se ky i fundit, i cili vetë ishte musliman, e rriti shifrën e ortodoksëve nga 20% në 30-35% se mendoi se kështu do të bëhej i pëlqyeshëm për Stalinin që ishte ortodoks. Janullatos e përdor thënien e Enver Hoxhës si argument sot se kërkon që nëse nga regjistrimi fetar i popullsisë del, në mënyrë spekulative, një shifër e lartë ortodoksësh, kjo të justifikohet me atë se ortodoksët kanë qenë 30-35% dhe jo 20% dhe se rritja nga fekthimet spekulative (prozelitimet)nuk është aq e lartë sa duket, në rast se numri i ortodoksëve do të arrijë në 45-50%.
    Në rast se bëhet një regjistrim fetar i popullsisë vërtet do të dalë ashtu siç thotë Bejtja, se shumica e shqiptarëve nuk janë muslimanë, pasi pjesa më e madhe e njerëzve me origjinë nga paraardhës të kthyer në muslimanë në kohën e okupimit turk do të deklarohen në këtë regjistrim si afetarë (fjala e saktë është “afetar” dhe jo “jobesimtar” që përdor Bejtja). Sipas këtij regjistrimi numri i katolikëve do të mbetet ai që ka qenë, pra 10-15% po të mendosh rritjen e lartë demografike të popullsisë katolike, më tepër fshatare tradicionalisht, në krahasim me atë ortodokse, por dhe muslimane. Por problemi është se nga ky regjistrim fetar i popullsisë do të dalë në mënyrë ireale dhe abusive sikur ortodoksët janë komuniteti fetar më i madh në vend. Rezultat e regjistrimit fetar të popullsisë unë mund t’ ia jap Bejtjes që sot: Të krishterë ortodoksë: 45-50% (shumë pak njerëz me origjinë ortodokse nuk do të deklarohet “jobesimtar” kjo është e sigurt), kristianë katolikë 10-15% (shumë pak njerëz me origjinë katolikë do të deklarohen “jobesimtarë”), muslimanë suni 2%, muslimanë shiitë (bektashinj kryesisht), 2%, jobesimtarë, apo më saktë afetarë (pothuajse të gjithë me origjinë nga paraardhës të kthyer me dhunë në fenë islamike gjatë okupimit turk) 30-35%, duke llogaritur që 35-40% e njerëzve me origjinë nga paraardhës të kthyer me dhunë në fenë islame, do të deklarohen si ortodoksë për të siguruar përfitime nga Greqia.
    Dalja e këtyre shifrave do të thotë inicim i procesit të shpërbërjes së nacionit (kombit shqiptar). Pas daljes së këtyre shifrave, edhe sikur regjistrimi etnik mos të jetë bërë paralel me atë fetar, regjistrimi etnik do të bëhet i paevitueshëm, pasi do të jetë krijuar precedenti dhe 45-50% e shqiptarëve të deklaruar ortodoksë, do të vetëdeklarohen si të kombësisë greke dhe kombi dhe shteti shqiptar do të shpërbëhen. Ky është një cmim shumë i lartë për të gjetur një argument se shqiptarët nuk janë një popull musliman, por se shumica e shqiptarëve me origjinë nga paraardhës të kthyer me dhunë në fenë islame janë në fakt afetarë, jo sic thotë Bejtja “jobesimtarë”. Të gjitha ato që thashë më lart Bejtja i di shumë mirë, por ai megjithatë e kërkon regjistrimin fetar të popullsisë se bën lobing në favor të Greqisë. Ambasada e SHBA në Tiranë ka një përgjegjësi të madhe për këtë provokim grek që bëri Bejtja, se është kjo ambasadë që e rekomandoi Bejtjen për të bërë intervistën ekskluzive me Bush. Me ktë Ambasada e sHBA në Shqipëri tregoi se atje është shumë i fortë lobingu grek. Shpërbërja e kombit dhe e shtetit shqiptar nuk është politikë zyrtare e SHBA dhe këtë ambasada amerikane në Tiranë e di mirë. Atëherë përse kjo ambasadë u jep mundësi lobistëve grekë në Tiranë, si Andi Bejtja, që t’ i paraqesin tezat e tyre greke me kredencialin e intervistuesit ekskluziv të Presidentit Bush?
    Një regjistrim fetar i popullsisë në Shqipëri as që mund të realizohet në praktikë, se do të iniconte një luftë fetare. Mendoni për një moment se si do të realizohet në praktikë ky regjistrim! Komunitetet fetare do të kërkojnë, dhe me të drejtë, që të kenë përfaqësuesit e tyre në komisionet që do të bëjnë regjistrimin dhe që logjikisht do të jenë shtetërore. Përfaqësuesit e komuniteteve fetare do të grinden me njëri tjetrin për shifrat në fshatra, qytete dhe në nivel qendror dhe regjistrimi fetar do të na ofrojë skenat e konfliktieve mes palëve politike gjatë zgjedhjeve politike. Deri më tash kemi parë komisionerë partiakë duke u rrahur me karrige, ndërsa tash do të shohim hoxhë, priftërinj dhe dervishë. Partitë politike sigurisht që do të pozicionohen në konfliktin për regjistrimin e popullsisë. PBDNJ, e cila e ka kërkuar haptaz dhe publikisht regjistrimin fetar të popullsisë do të mbështesë Kishën Ortodokse për të nxjerrë shifra më të larta të komunitetit ortodoks. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe PS, selia qendrore e së cilës tashmë, falë lejes së ndërtimit që i dha Edi Rama katedrales ortodokse në qendër të Tiranës, anash selisë së PS, përbën një kompleks politiko-fetar me katedralen ortodokse. Partia Demokristiane do të mbështesë komunitetin katolik në pretendimet për të rritur shifrën e katolikëve. Partia Demokratike do të detyrohet të mbështesë rritjen e numrit të afetarëve me origjinë muslimane, për të evituar rritjen artificialisht të numrit të ortodoksëve. LSI duket se do të mbështesë komunitetin musliman bektashian për të nxjerrë një shifër më të lartë, për të fituar elektorat mes kësaj popullsie, duke qenë se kryetari i saj Ilir Meta, i ka shprehur hapur ndjenjat e veta bektashiane në kohën kur ishte kryeministër dhe kur në kongresin e bektashianëve në Tiranë, recitoi një vjershë popullore për Abaz Aliun, shenjtin shiit. Kështu do të hapet “Kutia e Pandorës” dhe konflikti politik në vend do të shndrrohet hapur në konflikt politiko-fetar, me deputetë, qeveritarë, hoxhë, priftërinj, dervishë. Sherri do të shkojë në Kuvend, në Gjykatën Kushtetuese  vendimet e së cilës do të paragjykohen në varësi të përkatësisë fetare të kryetarit të saj (ortodoks) dhe të anëtarëve të saj, si dhe të mënyrës se si kanë votuar ata. Kështu vendi do të shndrrohet në ferr i vërtetë. Së ashtuqujaturës bashkëjetesë dhe harmoni fetare në Shqipëri do t’ i dalë fare boja.
    Shqipëria nuk mund të bëjë regjistrim fetar dhe etnik të popullsisë (nëse bëhet ai fetar do të bëhet paevitueshëm edhe ai etnik) për shkak se në botë regjistrim të tillë nuk ka bërë dhe nuk bën asnjë vend i varfër, në të cilin ky regjistrim manipulohet nga një vend fqinj shumë më i pasur. Në rast se SHBA, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, dhe Gjermania Perëndimore në vitet ‘60-70 të shekullit XX, kur kishte një emigracion të madh grek në këto vende, do t’ u kishin kërkuar grekëve që të bëheshin protestantë që të mund të emigronin, grekët e varfër dhe të dëshpëruar sigurisht që do ta kishin bërë këtë gjë. Dhe në rast se do t’ u ishte kërkuar që t’ u bënin presion familjeve të tyre në  Greqi që të kthenin fenë, edhe ato dota kishin bërë këtë gjë, se jetonin me ndihmat e të afërmve të tyre emigrantë. Prandaj nuk ka kuptim që në Shqipëri të bëhet regjistrimi fetar dhe etnik i popullsisë. Krahasimet me vendet e tjera të rajonit ku është bërë regjistrimi i popullsisë (në fakt vetëm ai etnik) nuk vlejnë se as Maqedonia as Mali i Zi, nuk janë në situatën që një vend më i pasur se to dhe që është atraktiv për popullsinë e tyre, të influencojë në mënyrën se si do të deklarohen qytetarët e këtyre vendeve.    
    Nuk është e vërtetë as ajo që thuhet se regjistrimi i fundit fetar i popullsisë në Shqipëri është bërë para Luftës së Dytë Botërore. Bejtja dhe të tjerët duhet ta dijnë se deri më sot në Shqipëri nuk është bërë asnjë regjistrim i popullsisë mbi baza fetare. Përkatësia fetare e popullsisë thjesht është shënuar duke u nisur nga emrat e personave.
    Një regjistrim fetar i popullsisë është veprimi më i papërgjegjshëm që mund të imagjinohet të bëjë shteti shqiptar dhe nëse SHBA e lejojnë këtë gjë, do t ëjetë një gabim i pariparueshëm. Shteti shqiptar duhet t’ u thotë grekëve të Shqipërisë dhe Athinës zyrtare, që e kërkojnë regjistrimin fetar të popullsisë, se çështja e regjistrimit të popullsisë mbi bazë feje nuk ka asnjë lidhje me të drejtat e grekëve në Shqipëri, pasi ai që është grek, automatikisht është edhe ortodoks. Grekët e Shqipërisë dhe shteti grek kanë të drejtë dhe duhet të preokupohen për të drejtat e veta, por nuk kanë të drejtë dhe as duhen lejuar që të bëhen zëdhënës të të drejtave të të tjerëve në Shqipëri. Çështja e të drejtave të ortodoksëve jogrekë në Shqipëri është një çështje midis këtyre njerëzve dhe shtetit shqiptar dhe në këtë mes nuk kanë punë as Greqia dhe as grekët e Shqipërisë. Shteti shqiptar mund të bëjë ose jo, nëse do, regjistrim fetar të popullsisë, por jo se këtë ia kërkojnë Greqia dhe grekët e Shqipërisë, madje as edhe kur këtë ia kërkojnë ortodoksët e Shqipërisë.
    Ortodoksëve shqiptarë nuk ua ka hequr kush të drejtën të shkojnë në kishë dhe të deklarojnë besimin e tyre dhe kjo është e drejta kryesore. Të drejtat dhe liritë e njeriut nuk janë qëllime në vetvete, por mjete për të arritur qëllime të caktuar, që në rradhë të parë nuk duhet të jetë abuziv. Ka një parim në punët njerëzore që kur përdorimi i pakushtëzuar i një mjeti dëmton qëllimin final, atëhere përdorimi i këtij mjeti kufizohet. Greqia deri më sot nuk ka lejuar që shtetasit e saj të shprehin lirisht identitetin etnik dhe as të njohë minoritete, pasi i trembet shpërbërjes së kombit grek. Shqipëria duhet të ndjekë këtë shembull. Në rast se në një moment të caktuar, shihet se nga ushtrimi i pakufizuar i të drejtave rrezikohet shpërbërja e kombit shqiptar, për shkak se një numër shumë i madh njerëzish do të deklarohen ortodoksë për të përfituar benefice nga shteti grek, atëhere këto të drejta duhen kufizuar, se ato përdoren në sens abuziv.
    Këto ditë në SHBA është duke u zhvilluar takimi vjetor i POAKA (organizatës panepirote të grekëve të SHBA, Kanadasë dhe Australisë), e kryesuar nga Nicolas Gage, ku i kërkohet me të madhe administratës amerikane që të influencojë që në Shqipëri të bëhet regjistrimi fetar dhe etnik i popullsisë. Kur ka një kordinim mes Nicolas Gage dhe Andi Bejtjes, që intervistoi Presidentin Bush, kjo nuk do të thotë se Shtëpia e Bardhë mbështet kërkesat e POAKA, por se segmente të diplomacisë amerikane janë të influencuar nga lobi grek në SHBA dhe se punojnë kundër linjës të politikës amerikane në Shqipëri.