Ambasadorja (anti)amerikane Ries lançuesja e Topit për komoditetin e Edi Ramës




Nga Kastriot Myftaraj

    Sfida që ka filluar nënkryetari i PD-së, Bamir Topi, i cili i ka hedhur dorezën për duel kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha, me kritika publike, duket se e ka origjinën në ambasadën amerikane. Lançimi i Topit në këtë sfidë filloi pikërisht nga ambasada amerikane, kur pas zgjedhjeve vendore të shkurtit ambasadorja amerikane Marcie Ries, në një prononcim publik, u shpreh se është dakord me atë që ajo e quajti ide e shkëlqyer e Bamir Topit për krijimin e një komisioni për reformën zgjedhore.
    Kjo është njëlloj sikur Bamir Topi të ketë thënë se 1+1 bëjnë 2 dhe ambasadorja amerikane të thotë se kjo është një ide e shkëlqyer e z. Topi. Në Shqipëri idea e krijimit të komisioneve për reformën zgjedhore nuk është një risi, por një gjë që tashmë i përket mitologjisë së politikës shqiptare, pasi në Shqipëri. janë krijuar aq shumë komisione për reformën zgjedhore, sa nuk mbahen mend.  Merret vesh, me këtë vlerësim për z. Topi ambasadorja amerikane donte t’ u bënte të qartë shqiptarë se Bamir Topi është njeriu i parapëlqyer i SHBA në PD.
    Pasi kaloi aq kohë sa mos të bëhej lidhje mes këtyre episodeve, Topi doli këto ditë me kritika publika ndaj mazhorancës parlamentare, qeverisë dhe praktikisht ndaj kryeministri Berisha, me rastin e debatit për projekt-ligjin për gjobat. Motivi që paraqiti Topi ishte preokupimi i tij se mazhoranca nuk po funksionon, gjë për të cilën ai bëri përgjegjëse partinë kryesore të mazhorancës, pra partinë e vet, PD-në, duke shigjetuar praktikisht kështu kryetarin e PD-së dhe të mazhorancës, Berishën. Topi u shpreh se ai kishte folur me një gjuhë të moderuar në publik, por në rrethe më të ngushta ai do t’ i kishte rënduar termat. Në fakt Topi i rëndoi termat sa nuk ka ku të vejë më, kur dialogun e Berishës me Nikollë Lesin në parlament për përqindjet e parapagimit të gjobës, sipas projekt-ligjit për këtë çështje, e përcaktoi si “aksham pazar”. Me këtë Topi e fyeu kryeministrin dhe kryetarin e partisë së vet, duke e krahasuar me ata matrapazët proverbialë të tregut të kohës osmane. Është shumë domethënëse që Topi, i cili është përpjekur që në kohën kur PD ishte në opozitë, të krijojë për veten reputacionin e njeriut të moderuar, që nuk fyen kundërshtarët politikë, doli nga natyra që pretendon se ka, duke fyer kryetarin e partisë së vet dhe kryeministrin e partisë së vet.
    Topi duket shumë i karikuar kundër Berishës dhe karikimin e ka nga ambasada amerikane. Duket se ambasada amerikane po ushqen ambicjet e Topit për të marrë postin e kryeministrit dhe në perspektivë edhe atë të kryetarit të PD-së. Topi nuk është aq naiv sa të besojë se ai do të bëhet President i Republikës. Topi e pranon kandidimin që i bëri zyrtarisht Berisha për postin e Presidentit të Republikës, vetëm se mendon se me këtë rrit profiling e vet si politikan. Por ajo që kërkonte dhe kërkon vërtet Topi kur e arsyetoi refuzimin e vet për të pranuar post qeveritar, ose edhe kandidimi për kryetar bashkie të Tiranës, nuk qe dhe nuk është posti i Presidentit të Republikës, por ai i kryeministrit dhe i kryetarit të PD.
    Ambasada amerikane e ka karikuar dhe praktikisht e ka lançuar Bamir Topin drejt kreut të qeverisë dhe të PD. Kjo nuk është e vështirë të kuptohet. Një sondazh i Institutit Demokrat Amerikan për Çështjet Ndërkombëtare (NDIIA), i publikuar në janar të këtij viti, e nxorri Topin politikanin më popullor në Shqipëri, me një mbështetje prej 63% në Tiranë, 9% më shumë se Edi Rama. Një puppet string i ambasadës amerikane në Tiranë, drejtori i Lëvizjes “Mjaft”, Erion Veliaj, në një intervistë që dha në fund të marsit të këtij viti,  në emisionin «Fakt» të Çlirim Pekës në «Nesër Tv», u shpreh se do të ishte e pëlqyeshme që në krye të PD, të zëvendësohej një lider konfliktual, siç e quajti ai Berishën, me Bamir Topin, “një lider me tone të ulta”, siç u shpreh Veliaj.
    Në këtë rast problemi nuk është se përse ambasada amerikane po mbështet një nga njerëzit në lidershipin e tashëm të PD, për të qenë pasardhës i Berishës në krye të PD dhe të qeverisë. Problemi nuk është as se ka dalë një pretendent për postin e Berishës në krye të partisë dhe të qeverisë se Berisha një ditë do të largohet dhe duket se kjo ditë nuk është larg. Tashmë veç arsyeve të tjera për largimin e Berishës është shtuar dhe ajo se Berisha, edhe pse ka reputacionin e “skifterit” politik, nuk është aq i ashpër dhe i fortë sa ç’ duhet për të përballuar Edi Ramën, që ka dalë në krahun tjetër si pasardhës i Fatos Nanos dhe që është shumë më i ashpër dhe konfliktual se Fatos Nano. Përballë Edi Ramës, për simetri, duhet një lider i PD-së shumë më i ashpër dhe konfliktual se Berisha. Nëse ambasada amerikane do të mbështeste tek PD si pasardhës të Berishës, një politikan, simetrik me Ramën kjo nuk do të kishte asgjë të keqe. Problemi është se ambasada amerikane po e bën lançimin e një pretendenti për pasardhës të Berishës, në kuadrin e një manovre politike për t’ i krijuar komoditet kryetarit të PS, Edi Ramës, që kur të vijë në pushtet, të qendrojë gjatë, dhe i patrazuar nga krahu tjetër i politikës. Kur tashmë është bërë e qartë në një mijë mënyra se ambasada amerikane në Shqipëri, në personin e ambasadores Ries, mbështet për lider të partisë kryesore të së majtës, PS, një “skifter” si Edi Rama, një lider të ashpër, radikal, të fortë, konfliktual atëhere, kur shihet se ambasada amerikane mbështet si pasardhës të Berishës në partinë më të madhe të krahut tjetër të politikës, në PD, një “pëllumb” si Bamir Topin, një politikan  të moderuar, jokonfliktual, të butë, atëhere kjo nuk ka shpjegim tjetër veçse që diplomacia amerikane po përgatit në Shqipëri diktaturën e Edi Ramës, me një kryetar PD-je dhe opozite të nesërme që nuk do ta shqetësojë shumë Edi Ramën, si dhe me një President të Republikës puppet strings (kukull e komanduar me fije) të Edi Ramës, që do të mbajë postin e kryeministrit.
    Këtu hapet një problem i madh pasi që nga fillimi i pluralizmit në Shqipëri dhe deri më sot, ajo që është quajtur si dyshja konfliktuale Nano-Berisha, në fakt ka siguruar ekuilibrin e forcës në balancën e lidershipit politik shqiptar, midis dy krahëve të politikës, duke qenë në krye të secilit krah të politikës shqiptar nga një “skifter”, politikan i fortë dhe me profil të lartë si Fatos Nano dhe Sali Berisha.. Në të vërtetë kanë qenë amerikanët ata që edhe kur kanë qenë në armiqësi me Berishën dhe kanë influencuar që të rrëzohet nga pushteti, nuk kanë dashur që Berisha të dalë fare nga politika, dhe këtë e kanë bërë për të ruajtur ekuilibrin e forcës në lidershipin politik shqiptar, për të pasur një simetri në përmasat e liderëve kryesorë të dy krahëve. Prandaj amerikanët e kanë mbrojtur Berishën edhe pas ngjarjeve të shtatorit 1998, edhe kur e rrëmbeu Ilir Meta në dhjetor 2000. Edhe kur amerikanët e kanë mbështetur fort PS-në, dhe e kanë shtypur fort PD-në, në vitet 1997-2004, ata kanë zbatuar një postulat politik të vetin në Shqipëri, të ruajtjes së simetrisë së forcës në lidershipin politik në të dy krahët.
    Amerikanët sigurisht që kanë menduar me kohë për pasardhësit e dyshes Nano-Berisha, dhe logjika ta do që të kenë menduar në sensin e ekuilibrit të forcës, duke ruajtur simetrinë në lidership. Por mbështetja nga diplomacia amerikane e “skifterit”Edi Rama për të dalë në krye të PS-së, si pasardhës i Nanos dhe për të vendosur diktatin absolut në parti, në një kohë që diplomacia amerikane mbështet në krahun tjetër të politikës, në PD, një “pëllumb” si Bamir Topi, të bën me dije se amerikanët këtë herë kanë hequr dorë nga ai postulat i tyre politik në Shqipëri, që e kanë zbatuar edhe në ditët kur e kanë mbështetur fort PS-në, dhe e kanë shtypur fort PD-në, pra të ekuilibrit të forcës në lidershipin politik të dy krahëve. Ky projektim nga ana e amerikanëve i asimetrisë në lidershipin politik shqiptar është shenjë e keqe për të ardhmen e PD, por dhe të Shqipërisë. Zëvendësimi i dyshes Nano-Berisha me dyshen Rama-Topi do të thotë diktaturë afatgjatë e Edi Ramës.
    Zbatimi i kësaj skeme për animin e balancës së forcës në lidershipin politik shqiptar, nga e majta me në krye Edi Ramën, është një gjë që nuk mund të tolerohet, në rradhë të parë nga PD, nga anëtarët dhe mbështetësit e saj. Ç’ duhet të bëjnë anëtarët dhe mbështetësit e PD në këtë rast? Ata duhet të reagojnë, pavarësisht se kjo është një skemë amerikane, madje duhet të reagojnë edhe në interes të SHBA, se kjo është një skemë e njerëzve që kerqpërdorin postet e tyre në administratën dhe diplomacinë amerikane për të bërë politiken e lobeve të dyshimta. Në rastin në fjalë ambasadorja Ries vepron në dobi të protektorit të Edi Ramës, George Soros.
    Prishja e ekuilibrit të forcës në lidershipin e politikës shqiptare është një gjë e patolerueshme. Në këtë rast, për analogji, do të citoj një pjesë nga libri i Henry Kissinger “Diplomacia”, ku ai tregon se çdo të bënte krijuesja e konceptit gjeopolitik  të ekuilibrti të forcës, Britania e Madhe: “Në kulmin e saj, Britania e Madhe do të kishte hyrë në luftë për të mos lejuar pushtimin e porteve të Kanalit në Vendet e Ulëta, edhe sikur të ishin pushtuar nga një fuqi e madhe e drejtuar nga shenjtorë”. (Henry Kissinger: “Diplomacia”, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë 1999, f. 813.)
    Britania e Madhe do të qe e detyruar ta marrte parasysh këtë rrezik sepse kjo qe një gjë jetike për sigurimin e ekzistencës së saj. Në rast se do të shprehem në mënyrë metaforike, opozita shqiptare e posaçërisht PD, duhet të përcaktojë dhe ta bëjë botërisht të qartë se kush është për të koncepti i “porteve të Kanalit të Vendeve të Ulëta” në realitetin shqiptar, pra ai zhvillim, që për të përbën rrezik ekzistencial dhe të cilin ajo do ta kundërshtojë kundër kujtdo dhe me çdo mjet. Për PD “portet e Kanalit të Vendeve të Ulëta” duhet të jetë dalja e një “pëllumbi” si lider i PD, ose drejtues i qeverisë së saj, në kohën që në krahun tjetër, në krye të PS  është një “skifter”. Është e drejta dhe detyrimi i bërthamës së fortë të PD, që dikur Berisha i ka quajtur qendrestarë, për ta mbrojtur parimin e ekulibrit të forcës në “pjatën”-PD të balancës së lidershipit politik shqiptar, duke dëbuar nga selia e PD çdo “pëllumb” të imponuar nga diplomacia amerikane e instrumentalizuar nga Soros, për komoditet të Edi Ramës. Kjo është edhe në dobi të interesave reale amerikane në Shqipëri.
    Nuk ka dyshim se Topi po pompohet për dobi të Edi Ramës. Për këtë mjaft të shikosh pompimin që i vjen Topit nga e majta. Kur u shpall kandidatura e Topit për President të Republikës, disa liderë socialistë të nivelit më të lartë, u shprehën se ata e mbështesin Topin për kryetar të PD dhe jo për President. Topi është duke u pompuar nga anlistët mediatikë pro Edi Ramës, si Mustafa Nano, Henri Çili, Skënder Minxhozi, Andrea Stefani etj. Një televizion që është totalisht në mbështetje të Edi Ramës, si Top Channel dhe që është shndrruar në një guerrilje mediatike kundër Berishës dhe qeverisë së tij, ka filluar një operacionit në marrëdhënie publike që ka filluar prej kohësh për rritjen artificiale të profilit politik të Bamir Topit, si përfaqësues në PD i tiranasve autoktonë, krahut të djathtë, ish-pronarëve etj. Pas këtij operacioni qendron dora e fshehtë e të majtëve. Epitoam e kësaj ishte një emision “Top Shoë  me titull “Faktori B” për Bamir Topin, ku ishte i ftuar Bamir Topi dhe ku drejtuesi Alban Dudushi e hapi emisionin duke i thënë Bamir Topit se ju qendroni më djathtas se pjesa tjetër e PD-së. Në fakt, ishte dashur që në emision të diskutohej mbi atë se sa qendron kjo tezë, por kjo gjë nuk u bë dhe teza u pranua si a priori e vërtetë.
        Në fakt, Topi nuk ka mbajtur asnjë qendrim politik me të cilin mund të mbështetet kjo tezë, as për çështjen e ish-pronarëve dhe as për ndonjë çështje tjetër. Edhe paraqitja e tij si përfaqësues i tiranasve autoktonë nuk duket shumë e besueshme, pasi Bamir Topi, edhe pse i lindur dhe i rritur në Tiranë, në një familje që pretendon të jetë autoktone tiranase, megjithatë flet në dialektin e pastër toskërisht, gjë që duket shumë e çuditshme, pasi ka ndodhur që kur njerëz me origjinë nga familje që kanë si gjuhë tradicionale gegërishten kanë jetuar në Jug të vendit, fëmijët e tyre të lindur atje flasin në toskërisht, ose e kundërta, kur familje që kanë si gjuhë tradicionale toskërishten janë zhvendosur në qytete me gjuhë tradicionale gegërishten, fëmijët e tyre kanë folur në këtë dialekt, por nuk ka ndodhur ndonjëherë një rast si i Bamir Topit, që i linduri në një familje autoktone tiranase, që është rritur në Tiranë, të flasë toskërisht. Logjika të thotë se Bamir Topi, si tiranas autokton, duhet të fliste si Dashamir Shehi.
    Topi nuk ka oratori me të cilën mund të bëjë diferencë në lidershipin e PD-së. Retorika e tij politike është krejt e rëndomtë dhe këtë mungesë ai përpiqet ta kompensojë duke përdorur fjalë të huaja, por të tilla që në shqip nuk janë funksionale, por janë krejt të panevojshme si “dipendoj” dhe “previzion”. Deri më sot Topi asnjëherë nuk ka shkëlqyer në një debat televiziv.
    Por ironia më e madhe me pompimin që i bëjnë Topit analistët e medias pro Edi Ramës, si dhe Erion Veliaj, në version analist, është se nga njëra anë thonë se Topi është një politikan të moderuar dhe jokonfliktual, ndërsa në anën tjetër e paraqesin  Topin si përfaqësues në PD të shtresës së ish-pronarëve dhe ish-të persekutuarve, pra njeriu që qendron më djathtas në lidershipin e PD. Në rast se kjo do të ishte e vërtetë atëhere duhet që një PD me në krye Topin, kur ky të fillojë të mbrojë interesat e ish-të persekutuarve dhe të ish-pronarëve, të bëhet një parti e së djathtës ekstreme, duke marrë profilin e së djathtës së vitit 1943, si dhe duke u shkallëzuar konflikti politik në Shqipëri. Ose Topi është vërtet përfaqësues i së djathtës ekstreme në PD dhe atëhere ai duhet parë si një rrezik shumë më i madh se Berisha, ose Topi blofon dhe atëhere ai bën lojën e Ramës. Dhe derisa Rama, Veliaj, si dhe analistët medialë të rreshtuar tek “Aksioni Civil” mjaftist nuk preokupohen nga “djathtizmi” i Topit, atëhere është kjo e dyta.
    Në pompimin e Topit po ndodhin gjëra nga më të çuditshmet. Gjatë konferencës për media që dhanë këto ditë kryeministri Berisha dhe drejtori i zgjerimit në Bashkimin Europian, Michael Leigh, korrespondentja e televizionit publik shqiptar në këtë konferencë, Esmeralda Mulaj, i dhunoi rëndë rregullat elementare të takimeve të tilla, duke i drejtuar Berishës një pyetje që nuk kishte lidhje me agjendën e takimit të tij me Leigh, por me problemet e brendshme të PD, me deklaratat e Bamir Topit. Synimi ishte ndërkombëtarizimi i problemit “Topi”. Që kryeministri gjendet në një situatë të tillë të krijuar nga një ish-gazetare sportive që për arsye të çuditshme është rritur në përgjegjësi, që me siguri vepronte e urdhëruar nga të tjerë, kjo është simptomë e paaftësisë së qeverisë për t’ a bërë  televizionin publik, jo t’ i shërbejë qeverisë, por të veprojë me korrektësi.
    Amerikanët duhet ta kenë të qartë se Topi nuk mund të bëhet lider i PD-së, as me mbështetjen e tyre. Ka një kufi të gjërave që amerikanët mund ta bëjnë në politikën shqiptare, sado e çuditshme që t’ u duket. Sponsorimi i Topit nga ambasada amerikane shihet me shumë dyshim nga anëtarët dhe mbështetësit e PD-së, për shkak se ata e dijnë se Topi është i paaftë që të përballojë Edi Ramën. Topi ka humbur edhe atë reputacion që kishte në anëtarët dhe mbështetëist e PD, pasi refuzoi të kandidonte për kryetar bashkie, kur supozohej sipas amerikanëve të kishte mbështetje 9% më shumë se Rama, duke u parë kështu praktikisht si një shkaktar i humbjes së PD në Tiranë. Tek mbështetja që amerikanët i japin Topit, anëtarët dhe simpatizantët e PD nuk mundet mos të shohin në fakt një qëllim dashakeq për ta mbajtur PD-në gjatë në opozitë, në të ardhmen, përballë një regjimi autokratik të Edi Ramës në pushtet. Me mbështetjen për Topin konsumohet përfundimisht krediti i SHBA tek anëtarët dhe mbështetësit e PD. Kjo është një politikë antiamerikane e diplomacisë amerikane në Shqipëri, se armiqëson anëtarësinë dhe mbështetësit e PD me SHBA, duke i bërë (anëtarësinë dhe mbështetësit e PD), që të hyjnë në aventura të dëshpëruara, duke u bërë klientë të qendrave të fuqishme të huaja, që janë të interesuara të ketë revolta antiamerikane në Shqipëri.